Petrit Starova lindi më 19.1.1917, shkollimin fillor e kreu në Korfuz, ndërsa atë të mesëm gjimnazin e Tiranës.
I ati i tij, Sulejman Starova, një intelektual i njohur, kishte qenë ministër i financave në kohën e Zogut dhe të Fan Nolit, si dhe deputet më 1925-1928.
Rezultatet shumë të mira në të dy ciklet e para dhe zelli i Petritit ishin garanci për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve. Me këto tregues, në vitin 1939, familja e dërgoi atë për studime të larta. Siç ndodhi me një pjesë të mirë të studentëve të asaj kohe, edhe Petriti nuk arriti t’i mbarojë ato.
Megjithëse me rezultate të mira, ai vazhdoi studimet deri më 1943, një vit para diplomimit. I aktivizuar me të rinj të tjerë në pozitat antifashiste, detyrohet të kthehet në Tironë. Gjatë viteve 1943-1944, duke punuar në Bankën e Shtetit, ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për lëvizjen nacional-çlirimtare dhe veçanërisht në lidhjet me njësitet guerile; për çka ishte arrestuar nga pushtuesit fashistë dhe që për fat i pat shpëtuar ekzekutimit fizik.
Me mbarimin e luftës, edhe drejtësia shqiptare filloi t’i nënshtrohesh koncepteve të shtetit totalitar. Për institucionin e avokatisë, sektor ku punoi Petriti, këtij qëllimi i shërbeu veçanërisht ligji nr. 354 i vitit 1946.
Gjatë periudhës 1945-1950, ai ishte pjesë e Kolektivit (term, i cili pas vitit 1953, u shndërrua në Kolegj) të avokatëve të Tironës, ku punoi me shumë përkushtim dhe ndershmëri. Për dy vjet të tjera (1950-1952), ishte në krye të Gjykatës së Krujës, ku u shqua për karakter dhe profesionalizëm, prej nga u rikthye përsëri në Tironë po me detyrën e avokatit.
Ka qenë nga të paktit me të drejtën për përfaqësimin para Gjykatës së lartë, fakt që provohet me shkresën nr. 22/83 të datës 6-12-1961. Pas heqjes së sistemit të avokaturës e deri kur ai ndërroi jetë, më 1973, punoi në Zyrën e ndihmës juridike. Për merita të luftës e të punës është vlerësuar me disa urdhra e medalje.
Për tironasit, ai ka edhe një përmasë të veçantë. Nga shoqëria e hershme me S. Stërmasin, K. Dilon e M. Allën e të tjerë, e pa u ndarë nga vëllai i tij, Pelashi; ai ishte simpatizant i flakët i KF “Tirona”.
Djalin e tij e dërgoi në Shkollën e atëhershme të mjeshtërisë sportive për futboll dhe më tej për studimet e larta në IKLF “Vojo Kushi”, që i mbaroi më 1977. Politika e kohës nuk mundësoi plotësimin e dëshirave të Petritit (edhe pse ai nuk ishte më).
Aftësitë e futbollistit Sulejman Starova duhet të viheshin jo në shërbim të klubit të zemrës, me të cilin luajti vetëm një ndeshje, kundër skuadrës ”Larisa”, por të urdhrave të më të fuqishmëve. Megjithatë, dëshirë . e të jatit, ai e plotësoi, kur, me detyrën e trajnerit, KF ”Tirona” u shpall kampion më 2005.
Vajza, Didari, ka mbaruar inxhinierinë e ndërtimit.
Komentet