Porta e Shenjtë e Shën Marisë së Madhe do të hapet nga Papa më 1 janar 2025. Bazilika, e ndërtuar me urdhër të Papës Liberius në vendin ku, në gusht 359, nisi një reshje e mrekullueshme bore, ruan brenda saj reliket e Djepit a Grazhdit të Shenjtë. Prandaj njihet si Sancta Maria ad Praesepem, kryevepër e artit mesjetar. Është fjala për skenën e lindjes së Krishtit nga Arnolfo di Cambio, një nga veprat më të lashta artistike të Lindjes së Krishtit.
Një ngjarje e mrekullueshme: një reshje bore në mes të verës në Romë. Ashtu si ia zbuloi Zoja në ëndërr Papës Liberius, Pasardhësit të 36-të të Pjetrit.
Papa Liberius shënon perimetrin e bazilikës së S. Maria Maggiore në dëborë, Cappella Paolina, Santa Maria Maggiore
Perimetri i shënuar mbi borë
Është 5 gushti i vitit 359. Kodra Esquiline zbardhet nën flokët e dëborës. Flokët e rënë në tokë shënojnë perimetrin, mbi të cilin do të ndërtohet një tempull kushtuar Virgjërës. Është bazilika Santa Maria Maggiore, e njohur si “Liberiane”.
“Tempulli origjinal sigurisht që nuk ishte i tillë. Ishte një bazilikë shumë më modeste, me një navatë të vetme” – shpjegon për Vatican News Imzot Ivan Ricupero, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike të Bazilikës Papnore në Santa Maria Maggiore.
“Gjithçka tjetër është shtuar gjatë shekujve. Bazilika u rindërtua në 432 me Papën Sixtus III. Mozaikët e harkut të triumfit të kujtojnë pikërisht atë çast historik”.
Betlehemi i dytë
Me Papën Sixtus III, Bazilika mori menjëherë, simbolikisht, karakterin e “Betlehemit të dytë”. Brenda saj u ndërtua një Orator i Lindjes, riprodhim besnik i shpellës në të cilën lindi Jezusi, i realizuar me gurë nga Toka Shenjte. Për më tepër, rreth mesit të shekullit të VII, pikërisht në vitin 644, këtu mbërriti dhurata e çmuar që Patriarku i atëhershëm i Jeruzalemit, Shën Sofroni, i bëri Papës Teodori I, me origjinë nga Jeruzalemi: reliken e Djepit Shenjt ose kunabulum.
Relikja e çmuar
Në atë kohë, sulme të shumta persiane kishin shkatërruar shumë vende të lidhura me kujtimin e jetës së Krishtit. Shenjtori, murgu dhe teologu i ardhshëm, mbrojtësi i flaktë i Ortodoksisë, i dhuroi Papës pesë shufra prej druri të fikut nga grazhdi i Betlehemit, së bashku me pelenat, mbi të cilat, sipas traditës, ruhet trupi i vogël i Jezusit në brendësi të relikuarit të çmuar prej kristali, të zbukuruar me basorelieve argjendi, krijuar nga Giuseppe Valadier në fillim të shekullit të tetëqindtë.
Është e vendosur në Confessio, e zbukuruar me mbi 70 mermere të ndryshme nga Piu IX, që përkujtohet nga një shtatore vigane, e gjunjëzuar, që shikon drejt mozaikut të absidës, ku soditet Kurorëzimi i Virgjërës.
Mesha e parë e Krishtlindjes
Prandaj nuk është rastësi që Bazilika Liberiane, e quajtur Sancta Maria ad Praesepem për shekuj me radhë u bë cak lutjesh për shtegtarët “romakë” gjatë kremtimit të Krishtlindjeve, si dhe objekt përkushtimi e bujarie të madhe nga ana e papëve dhe sovranëve. “Që atëherë, Mesha e Krishtlindjes u kremtua në këtë Bazilikë – vazhdon Imzot Ricupero – Pak e dinë se Nata e parë e Krishtlindjes u kremtua këtu. Më pas ky zakon u transmetua dhe u bë traditë liturgjike e Kishës Katolike në mbarë botën.
Një hollësi e Djepit a Grazhdit të Shenjtë
Për shekuj me radhë, natën e 24 dhjetorit, Papa vinte këtu për të kryesuar meshën e mesnatës dhe deri para urgjencës së pandemisë, relikja u mbart me procesion përgjatë navatave për të kënduar Glorian “Lumni i qoftë Zotit në qiell – e paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë!”. “Që nga viti i kaluar”, saktëson prifti, “vendosëm ta nxjerrim sërish jashtë tekës së tij, të ngritur lart, në mënyrë që të nderohet natën e Krishtlindjes e deri në ditën e Epifanisë – a të Ujit të Bekuar”.
Zhvendosja e Oratorit të skenës së Lindjes
Oratori i lashtë i Skenës së Lindjes, që fillimisht ishte vendosur në navatën e djathtë të Bazilikës, falë një sistemi të sofistikuar rrotullash dhe çikrikësh të projektuar nga arkitekti Domenico Fontana, u zhvendos nën tabernakullin madhështor prej bronzi të praruar të Kapelës monumentale të të Shenjtnueshmit Sakrament, ndërtuar në vitin 1590 nga Papa Sixtus V Peretti, në përputhje me normat e Koncilit të Trentit.
Mesha e parë e Shën Injacit dhe vizioni i Shën Gajtanit të Thiene-s
I rrethuar nga afreske kushtuar paraardhësve të Krishtit dhe tregimeve të Virgjërës, Papa i Rilindjes paraqitet në murin e majtë të kapelës në monumentin funebër që i kushtohet: në lutje, me sytë drejtuar kah altari mesjetar i Oratorit të Shpellës së Betlehemit ku, në netët e Krishtlindjeve të 1517 dhe 1538, Shën Gajtani i Thienës pati vegimin mistik të Krishtit Fëmijë e Shën Injaci i Lojolës kremtoi meshën e tij të parë. “Themeluesi i Shoqërisë së Jezusit”, shpjegon imzot Ivan Ricupero, “do të kishte dashur ta festonte në Betlehem, por nuk mundi ta bënte këtë për shkak të një sërë situatash të paparashikuara. Ai e realizoi ndjetin këtu, në Santa Maria Maggiore, në këtë vend që konsiderohet si Betlehemi i Romës”.
Betlehemi i Arnolfos
Në këtë mjedis u vendos ajo, që konsiderohet si skena më e vjetër e lindjes në historinë e skulpturës, e krijuar nga Arnolfo Di Cambio më 1289, porositur nga Papa i parë françeskan, Nikolla IV, më pak se shtatëdhjetë vjet pas paraqitjes së gjallë të Lindjes së Krishtit, realizuar nga Shën Françesku në Greccio.
Betlehemi i Arnolfo di Cambio
Nga kjo kryevepër unike e artit plastik mesjetar, e përmendur edhe nga Vasari, të paktën pesë statuja origjinale prej mermeri kanë mbijetuar: Shën Jozefi, dy Mbretër Dijetarë në këmbë, i treti që lutet në gjunjë, kokat e kaut dhe gomarit. Gjithë këtyre u shtohet Zoja me Foshnjën e ulur në një shkëmb dhe me përmasa më të mëdha: rreth një metër lartësi. Atribuimi i këtij të fundit Arnolfos është i diskutueshëm pasi, sipas disa studiuesve, u ripunua shumë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Gjurmët e pigmentit të pranishëm në gur tregojnë se si Betlehemi origjinal prej guri, për të cilën nuk dihet numri i saktë i shtatoreve, duhet të ketë qenë i ngjyrosur.
Ashtu si barinjtë e thirrur nga engjëlli për lindjen e Shëlbuesit, në Vitin Shenjt 2025 shumë shtegtarë do të mbërrijnë në Bazilikën Liberiane, Betlehem i Perëndimit.
Papa do të hapë Derën e Shenjtë të Shën Marisë së Madhe më 1 janar 2025, në solemnitetin e Marisë, Nënës së Shenjtë të Zotit “Që në vitin 1390 – përfundon Imzot Ivan Ricupero – ka të dhëna që vërtetojnë se këtu ka pasur një derë shenjte, që besimtarët mund ta kalonin për të marrë dhuratën e faljes së mëkateve. Të vizitosh këtë Bazilikë të lidhur me Lindjen e Krishtit për shtegtarët dhe turistët është mundësi për t’iu afruar misterit të madh të Mishërimit”.
Druri i fikut i Djepit të Shenjtë
Inspektimi i relikteve të Djepit të Shenjtë
Porta Shenjte e Shën Marisë së Madhe sn