Së pari kërkoj ndjesë për përdorimin e fjalës “pordhac” pasi për shumë prej jush ndoshta nuk do të duket fjala e duhur. Por, megjithë përpjekjen për ta zëvendësuar me një fjalë më të përshtatshme, e kisha të pamundur që në fjalorin shqip të gjeja një fjalë tjetër që t’i përafrohej! Fjala “mburravec” nuk e ka ngarkesën kotësore dhe boshin e fryrë që të krijon fjala “pordhac”.Tani të dal te përmbajtja e këtij shkrimi.
Në fillim të Shtatorit, në mediat tona dolën dy lajme skandaloze, njëri pas tjetrit. I pari njoftonte që Ministrja e Drejtësisë znj. Etilda Gjonaj ka fjetur në një hotel të Romës dhe fatura tregonte 700 Euro/natë. I dyti njoftonte që Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë Tiranë, ka fjetur dy netë në Hotelin Alma në Barcelonë, për 1816 Euro. Për ta bërë më skandaloz lajmin e dytë, pagesën e hotelit e bën oligarku i njohur si klienti kryesor i Bashkisë së Tiranës, zoti Shkëlqim Fusha.
Këto dy lajme ishin shumë të bujshme pasi populli percepton shumë kollaj se çfarë do të thotë 700 ose 906 Euro një natë hoteli sesa fjala vjen 110 milion Euro që është gjoba ndaj Becchetit. Për shembull, mamaja ime e kupton që një dhomë hoteli në Romë mund të kushtojë 40, 50, 70 ose 100 Euro. Qameti 150 Euro. Por t’i thuash mamasë sime që Ministrja shqiptare ka fjetur me 700 Euro në një natë kjo ia çon nervat në skaj. Edhe djali im i vogël nuk i kupton 104 milion Eurot që Qeveria shqiptare ia fali Bankers Petrolium (Kompanisë Amerikane të Naftës) por kur i thashë që dhoma e Etildës për një natë kushton “një pallaskë” (kështu e quan ai 500 Euroshen) dhe dy jeshilka zgurdulloi sytë. “Ne do kishim shku me pushime për një javë familjarisht”- më tha. “Po mor bab, po ne nuk jemi Ministra”- i them. “Ministrat kanë status, nuk mund të flejnë në çdo lloj hoteli si ne të ngratët”.
Problemi më kompleks është në rastin e nënkryetarit Mazniku. Pagesa prej 1816 Eurosh për dy netë është bërë nga përfituesi kryesor i parave publike të administruara nga z. Mazniku. Nuk e di çfarë do të thoshte mjaftisti Mazniku i viteve 2005, aktivisti vizionar i një Shqipërie të mirëqeverisur, për këtë aferë të pastër korrupsioni!
Më kujtohet që media e Kosovës i mori shpirtin Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për një vizitë disa minutëshe në jahtin privat të një oligarku të njohur kosovar. Megjithëse asgjë nuk vërtetonte lidhje të tjera mes tyre, asnjë faturë e paguar, asnjë gjurmë korrupsioni! Por, ta lëmë mënjanë korrupsionin (përfitimin e padrejtë të Maznikut nga Fusha), a mundet zoti Mazniku të refuzonte fjetjen në një hotel që kushtonte 1816 Euro për dy netë?! Si mundet një majtist-mjaftist t’ia lejojë vetes këtë luks?! Apo edhe këtu del simptoma e statusit. Pra, edhe ky mund ta bënte por nuk ia lejonte statusi.
Në media dolën servilët e Qeverisë që na shpjegonin që ishim hormonalë, të padalë e të painformuar, se 700 Euro nuk ishin hiçasgjë. Janë të njëjtët servilë që dalin në media për të mbrojtur gjithmonë Qeverinë. Varet kush është dezhurn. Atë ditë qëlloi radha e Dritanit. Ai na njoftoi që e paska bërë edhe Berisha në New York. A thua kjo është arsye për të mos kritikuar Ministren! Nëse Berisha e ka bërë (shumë keq ka bërë) dhe ne nuk e kemi ditur atëherë, duhet të heshtim edhe sot? Jo zoti servil, arsyeja që “kanë vjedhur më keq ata” është për të sharë edhe ata e jo për të mos sharë këta.
Përveç tyre kishte edhe nga ata që na folën për statusin e Ministrit…
“Statusi i leshit” – më del nga shpirti . Cili shqiptar paska status të paguajë 700 Euro nata?! Ne jemi vendi më i varfër i Evropës dhe krekosemi sikur jemi Britania apo Franca. Për të shpjeguar megallomaninë e të voglit, në këtë rast më vjen në ndihmë një ngjarje reale nga fundi i viteve 90 në kinematografinë shqiptare.
Në një Festival Ndërkombëtar Filmi u shfaq filmi i një prej regjisorëve të rinj shqiptarë të atyre kohëve. Në fund të filmit, në momentet e shfaqjes së titrave, të pranishmit pyesin regjisorin se çfarë shkruhet poshtë emrit të Kadri Roshit. Aty shkruhej Artist i Popullit. Regjisori, i vënë në pozitë përpara kolegëve, sajon një gjë për të dalë nga situata. Se nuk ua shpjegonte dot se pse populli përzihet me artistët, pse populli dikur ka dhënë edhe tituj.
Sapo kthehet në Shqipëri, në një mbledhje të gjerë të Kinostudios së atëhershme, propozon heqjen e titujve të tillë krejt demode e të pakuptimtë dhe futjen e koncepteve moderne si “Me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Kadri Roshit”.
Për një moment pati mirëkuptim, mirëpo për fare pak. U ngritën servilët e atëhershëm me fjalime patetike të tipit “Ky është një titull kontributi jetësor që populli shqiptar ua ka dhënë artistëve të vet dhe nuk ka Francë apo Angli që ta vejë në dyshim”etj etj. Njëri pas tjetrit secili servil e linçon regjisorin e talentuar sa ky u pendua që e kishte hapur gojën. “Është status” vërsuleshin kolegët regjisorit anipse ky mendonte veç që ta modernizonte atë status të pakuptimtë. Dikur, nga fundi i sallës u ngrit një kineast me përvojë e një zë i njohur për batutat e tij dhe tha “Mirë more mirë, po e shkruajmë Artist i këtij farë populli”!
Ky ishte fundi i diskutimit.
Edhe statusi i Ministres apo Nënkryetarit të Bashkisë nderohet duke kursyer. Ish Presidenti i Uruguait, Jose Mujica, jetoi në një barakë dy dhomëshe dhe e dhuroi 90% të pagës së tij për nevojtarët. Sepse “statusi” i Uruguait nuk ishte për pordhacë dhe ai e donte Uruguain.
Ndërsa për pasanikët e rinj (ku futen edhe zonja Gjonaj dhe zoti Mazniku), çështjen e statusit e shpjegon shumë mirë shkrimtari Hernan Casciari kur thotë:
“Pasaniku i ri e di. E di se është rastësia, dhe jo mundi, shkaktarja e hovit të tij ekonomik. E di se jeta mund t’ia marrë gjithçka, po aq shpejtë sa edhe ç’ia dha. Pasaniku i ri ka nevojë të shkëputet nga njerëzit e thjeshtë. Sepse statusi – duket se thonë pasanikët e rinj – është të zgjedhësh, kush mund të të vjedhë dhe kush jo”.
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj në një deklaratë për mediat ka theksuar se nuk është lejuar në mbledhjen e Këshillit të Mandateve për çështjen e Ballukut.
Shehaj u shpreh se synojnë që të mbajnë të fshehur kërkesën e SPAK.
Gjithashtu hodhi akuza se Balla ka urdhëruar që në mbledhje të jenë vetëm anëtarët.
“Kanë vendosur dhe duan të bëjnë gjithçka për të mbuluar atë që po ndodh. Duan të mbajnë të fshehur kërkesën e SPAK-ut. Unë kam të drejtë të jem pjesë e Këshillit të Mandateve. Jemi parti politike dhe kemi nevojë të përfaqësohemi. Balla, në asnjë mënyrë, dhe anëtarët e tjerë që janë aty, u tha se nuk lejohen të tjerët. Ky është preteksti që e kanë kërkuar prokurorët. Kjo është hera e parë që e mbajnë mbledhjen me dyer të mbyllura. Kjo është e mbyllur!
Balluku thotë në përgjigje: është vendosur tenderi nga Rama. S’ka më kufi mes krimit dhe shtetit. Një qytetar shqiptar nuk e di më se kujt t’i drejtohet ditën kur ka nevojë për mbrojtje. Kujt t’i kërkojë të mbrohet, policit që e merr peng?
Unë kam bërë edhe kërkesë që të jem në Këshill. As këtë nuk e bënë. Është e qartë që duan ta mbyllin çështjen. Nuk dihet se cilat janë argumentet që ka SPAK. Po kërkohet arresti i Ballukut. Ajo duhet të dalë para drejtësisë.”, tha Shehaj. bw
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj vijon të qëndrojë prej më shumë se një ore jashtë dyerve ku mbahet mbledhja për zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Ai ka hedhur akuza se kryeministri Edi Rama synon të mbrojë veten e tij.
Po ashtu ai ngriti shqetësimin për presion nga ana e gardistëve.
“Filloi presioni, dhe këtu ka njerëz të ndershëm por ka edhe palaço. Vijnë këtu dhe fillojnë presionin. Ka gardistë të ndershëm por ka edhe palaço që vijnë bëjnë presionin. Mendojnë se do jenë përgjithmonë në pushtet. Por do ju vijë dita dhe po ju vjen shumë shpejt në fakt. Ku është shefi? Mund ta thërrisni? Jeni të Gardës edhe ju? Mund ta thërrisni shefin? Nëse është normale që garditëst të kalojnë këtu dhe bëjnë presion…Të shohim pak gangsterët që bredhin këtu nëpër parlament”, tha Shehaj.
Deputeti Erlad Kapri deklaroi se është informuar nga deputetë të opozitës se kreu i Grupit Parlamentar të PS ka kërkuar që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura. Sipas kjo është bërë për faktin që të mbaheshin të fshehta diskutimet dhe të vërtetat.
“Jam informuar nga kolegë të opozitës që Taulant Balla ka kërkuar që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura. Është thënë që përderisa i është drejtuar kuvendit përse mos ta dinë të gjithë deputetët. Taulant Balla thotë jo, kërkon të bëhet me dyer të mbyllura. Skandal. Kjo bëhet që ajo që thonë prokurorët në këtë sallë të mos bëhet e ditur.”, tha Kapri. bw
Belinda Balluku është ende në godinën e Kryeministrisë dhe nuk ka dalë për t’ju drejtuar Kryesisë së Kuvendit.
Gazetari Osman Stafa tha për News24 se Balluku duket se nuk ka preferuar për të qenë brenda mbledhjes së Këshillit të Mandateve. Balluku u rikthye në detyrë pas vendimit të Kushtetuese dhe SPAK veproi duke kërkuar arrestimin e zv/kryeministres.
Kreu i PD Sali Berisha në takimin e zhvilluar me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Berisha ka paralajmëruar protesta më të forta më të vendosura deri në grevë urie.
“Këta kanë asgjësuar parlamentin. Parlamenti nuk ekziston. Protestat tona do të diversifikohen me greva urie me të gjitha format. Deri sa të përmbushim misionin tona. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim. Me këtë regjim është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme. Ato janë forma që rrëzojnë narkodiktatura.”, tha ai. bw
Pronari i Report TV dhe Shqiptarja.com, Carlo Bollino, rezulton të jetë i përfshirë në përgjimet e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe vartësit të saj, drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi.
Sipas dosjes hetimore të publikuar në media, rezulton se Carlo Bolino ka përfituar qindra milionë lekë nga ARRSH-ja.
Në bashkëbisedimin mes Ballukut dhe Berberit, zbardhet se Carlo Bollino, çon persona të tretë të interesohen tek ministrja dhe drejtori i ARRSH për projektet dhe pagesat.
Gjatë këtij bashkëbisedimi mes Ballukut dhe Berberit flitet për shumat që ka marrë Bollino nga drejtori i ARRSH.
Në aplikacionin “Whatsapp”, midis shtetasve Belinda Balluku dhe Evis Berberi, si më poshtë:
Në datën 17.03.2022, në orën 17:45, shtetasja Belinda Balluku i përcjell (forwarded) shtetasit Evis Berberi mesazhin “buonasera belinda, sento it dovere di informarti che nulla di quello quello che ei siamo detti e’ avvenuto, ne il vecchio (il cui valore e’ stato addirittura spalmato te “plani i likujdimi” nei prossimi tre anni!!!) ne’ il nuovo, si dhe i dërgon mesazhet “Merre zgjidhe ktë Se sto kafane po fare terezinë.
Në orën 17:52-17:53, Evis Berberi: “Ja kam pranuar projektin në këshill teknik ka marrë 28 mil të rinj nga 70 mil të rinj the pagesën e mbetur ja kam shtrirë në tre vjet tani do marrë o mil të rinj pasi kanë bërë një shpërndarje për të gjitha projektet dhe nëse duhet ja japim në qershor 39 mil të rinj që është diferenca.
Për gjënë e re se di për çfarë flet Pasi skam diskutuar gjë tjetër me të”.
Në orën 17:57-17:58, Belinda Balluku: “Thërrite atë plehrën që perfaqëson dhe thuaji, kjo është skema çfarë halli ke, shko sqaro Carlon thuaji. Mos shkruaj me tel, min ose pastaj harroje bashkëpunimin”.
Në orën 17:58-18:00, Evis Berberi: “Ok Po është ky plehra që shtyn Carlon se do jetë në hall”,– thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore të publikuar nga CNA.
Këtë të premte do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizimin për arrestimin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Mbledhja do të nisë në orën 10:30. Balluku është e pandehur për shkeljet me tenderin 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe 450 milionë euroshe.
Ajo dyshohet se ka përcaktuar fituesit edhe të 3 tenderave të tjerë.bw
Aktori dhe aktivisti Florjan Binaj, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, ka apeluar për angazhim dhe mobilizim qytetar në protestat kundër qeverisë. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se këtë të shtunë do t’i bashkohet protestës së organizuar nga Adriatik Lapaj.
Në mesazhin e tij, Binaj thekson se protestimi është “një detyrim themelor i çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, të grabitet dhe të përbuzet”. Sipas tij, heshtja e shoqërisë i jep hapësirë dhe kurajë qeverisë për abuzime, ndërsa reagimi dhe bashkimi në protesta janë mjetet e vetme që e detyrojnë pushtetin të tërhiqet.
Aktori shprehet se vendi po ecën në një drejtim të gabuar dhe se ka ardhur koha që qytetarët të reagojnë, përtej ndasive partiake, për të mbrojtur interesin publik.
Më herët gjatë ditës, Florian Binaj iu bashkua protestës së Adriatik Lapajt, i cili prej disa ditësh po proteston në sheshin përpara Kryeministrisë. Ai njoftoi se do të marrë pjesë në të gjitha protestat e paralajmëruara, përfshirë ato të Partisë “Mundësia”, lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe Partisë Demokratike. bw
Lëvizja Bashkë ka zhvilluar sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar përgjegjësi nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për aferat miliona euroshe që është marr nën hetim nga SPAK.
“Nëse dikush në fshat ndërton një mur pa leje shkon në burg, por nëse t’i vjedh popullin më të varfër në Evropë, jo vetëm nuk shkon në burg, por edhe mbrohesh nga numri 1 i pushtetit”, u dëgjua të thoshte një nga protestuesit.
Gjatë protestës, mbështetësit e Lëvizjes Bashkë mbanin pankarta të shumta në duar, ku shkruhej: “Gjenerali i ushtrisë së burgosur”, duke iu referuar kryeministrit Rama, apo dhe të tjera, si: “Rama dhe Balluku na vodhën festat”; “Populli mbjell, oligarku korr”; “Kush mbjell uri, korr revoltë”;, etj.
Kujtojmë se Belinda Balluku është marrë nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën dyshimet për shkelje të barazisë në tendera.
Po ashtu, SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të saj, çka, sipas ligjit, do t’i hapte rrugë marrjes së masave më të ashpra të sigurisë, përfshirë edhe arrestimin.
Ish-kandidati për postin e Avokatit të Popullit, Besim Ndregjoni, ka hedhur akuza të forta ndaj situatës politike në Shqipëri, gjatë një interviste në studion e News24, duke e cilësuar vendin si një “diktaturë me petkun e demokracisë” dhe duke shprehur zhgënjim të thellë ndaj klasës politike, përfshirë edhe Partinë Demokratike.
Sipas Ndregjonit, tensionet dhe rrëmujat politike nuk janë shkaktuar nga opozita, por janë rezultat i një sistemi ku vullneti i qytetarëve shpërfillet. Ai deklaroi se institucionet janë vënë në shërbim të pushtetit, ndërsa drejtësia funksionon vetëm formalisht. “Të drejtat dhe liritë e njeriut dhunohen, shqiptarët kanë kaluar në depresion për shkak të kësaj krize dhe kësaj klase politike”, u shpreh ai, duke shtuar se frika dhe dhuna përdoren si mekanizma qeverisjeje.
Ndregjoni akuzoi se në vend të ndërtimit të një shteti të së drejtës, po ndërtohet një shtet kriminal. Ai iu referua deklarimeve të drejtësisë, sipas të cilave AKSHI është cilësuar si një institucion kriminal, si dhe rasteve të mëparshme në Bashkinë e Tiranës, ku, sipas tij, janë evidentuar struktura të ngjashme kriminale. Sipas Ndregjonit, edhe policia është vënë në funksion të krimit, duke e bërë të pamundur të flitet për një shoqëri të qetë dhe të sigurt.
Në analizën e tij politike, Ndregjoni theksoi se në Shqipëri nuk ekziston më ndarja tradicionale mes së majtës dhe së djathtës. “Fatkeqësisht, sot nuk ka të majtë dhe të djathtë, por ka banda”, deklaroi ai, duke shtuar se klasa politike e viteve ’90 ka dështuar plotësisht dhe u ka servirur shqiptarëve dy forca politike jo demokratike, në shërbim të pushtetit dhe imituese të modeleve diktatoriale.
Ndregjoni shprehu zhgënjim të thellë edhe ndaj Partisë Demokratike, për të cilën tha se nuk po tregon identitet politik dhe po ndjek një linjë populiste. Ai e cilësoi si “turp kombëtar” procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke theksuar se PD duhej të tregonte mirënjohje ndaj antikomunistëve shqiptarë. Sipas tij, përzgjedhja e kandidatëve ndër vite ka treguar pazare politike mes forcave kryesore.
Ai kujtoi se në vitin 2001, Partia Socialiste emëroi si Avokat të Popullit një ish-drejtues të Ministrisë së Brendshme të diktaturës, i cili më pas u miratua edhe nga PD për një mandat të dytë, ndërsa në vitin 2011 u dha mandati për Igli Totozanin. Ndërsa shqiptarët prisnin zgjedhjen e një figure antikomuniste, Ndregjoni akuzoi atë që e quajti “forcë politike të pamoralshme dhe të pandërgjegjshme” për pazare me “partinë e krimit”.
Në përfundim, Ndregjoni deklaroi se ai dhe mbështetësit e tij do të mbështesin protestat e Partisë Demokratike vetëm nëse deputetët e PD-së që votuan kandidatin e kryeministrit për Avokat të Popullit japin dorëheqje. Ai shtoi se mbështetja do të vijojë edhe nëse PD mobilizon qytetarët për protesta të vazhdueshme para Kryeministrisë, por vetëm në rast se opozita tregon qëndrueshmëri dhe nuk tërhiqet nga aksioni politik.
TIRANA– Ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, është paraqitur sot në SPAK për të dhënë dëshmi lidhur me ngjarjet e 21 Janarit. Meta është pyetur në cilësinë e personit që kishte dijeni për rrethanat, duke qenë se në atë periudhë ushtronte detyrën e zv/kryeministrit të dorëhequr në qeverinë “Berisha”.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, ka bërë publike disa elemente nga deklarimet e Metës përpara oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas Cakranit, Meta ka pohuar se përpara zhvillimit të protestës ishte informuar në mënyrë konfidenciale nga shërbime të huaja që vepronin në Shqipëri, të cilat paralajmëronin për një demonstratë të dhunshme, me rrezik për përplasje serioze dhe madje edhe humbje jete.
Avokati ka theksuar se të njëjtat informacione, sipas Metës, u ishin përcjellë edhe kryeministrit dhe presidentit të kohës.
“Shërbimet amerikane më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do mbyllej me vrasje. Unë kam dhënë dorëheqjen se më është kërkuar nga ata sepse e dinin qe do ketë skenar dhune dhe për të zbutur përplasjet dhashë dorëheqjen. Këto informacione i janë dhënë shërbimit tonë sekret edhe presidencës”, mësohet të ketë thënë Meta.
Çështja “21 janari”
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al
Zbardhen të tjera detaje nga afera korruptive mbi projektin e Unazës së Re, ku e implikuar kryesore është Belinda Balluku. Sipas gazetarit Elton Quko, 7 tenderat për Unazën e Re u paracaktuan nga Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin dhe Berberi, i cili ndodhet pas hekurave.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se tenderi i parë që është paracaktuar nga dyshja Berberi-Balluku është ai që kishte si synim për plotësimin, rakordimin dhe vazhdimin e punimeve tek Sheshi “Shqiponja” Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe ndërtimin e Qëndrës së Monitorimit të Trafikut. Këtë tender sipas SPAK është paracaktuar nga zyrtarët e ministrisë dhe ARRSH dhe e ka fituar kompania “Salillari”, e biznesmenit Pëllumb Salillari, duke ofruar vlerën ekonomike prej 2 miliard e 283 milion lekë. Ndërsa është skualifikuar kompania e “Gener 2” e Bashkim Ulaj.
Ndërsa tenderin për ndërtimin e Qendrës së Monitorimit të Trafikut e ka fituar Bashkimi i Operatorëve Ekonomike “Mc Networking”, “Intetra Elektronik Sanayi Anonim Sirk” dhe “Gjoka Konstruksion”, të cilët ofruan tek Balluku vlerën 21 milionë euro për kryerjen e këtij shërbimi. Praktikën tjetër me objekt “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”, e ka fituar Bashkimi i Operatorëve “4 A-M” e Ardit Metaliaj, “ED KONSTRUKSION” me pronarë Alfred Ibrahimi, Eduart Ibrahimi, Jorgjie Ibrahimi, Ramadan Ibrahimi si dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” e Bajram Dalipaj, në vlerën prej 2 miliard e 485 milion lekë.
Tenderin tjetër të Unazës së Re me objekt “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana është paracaktuar tek kompania tjetër “ALB-STAR” e Sadik Ismailaj, i cili ka ofruar vlerën prej 2 miliard e 559 milion lekë të vjetra. Praktikën tjetër e për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 e kanë paracaktuar tek “EUROTEOREMA PEQIN” dhe “PE-VLA-KU” e Kujtim Arifaj, Vladimir Pjetergjokaj si dhe “NOVA Construction 2012” e Ilir Shtufit, të cilët ofruan vlerën 2 miliard e 96 milion lekë.
Gjithashtu tenderi tjetër për “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5, sipas dosjes së SPAK është paracaktuar tek Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë “G.P.G. COMPANY” në pronësi të Gëzim Dani dhe Paqsor Buzi nga Fieri dhe “SENKA” e Ylli Senka nga Fieri me vlerë 1 miliard e 802 milion lekë. Njëherësh e paracaktuar ka qënë dhe gara për ndërtimin e Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6, ku sipas SPAK është paracaktuar kompania e “Gjoka Konstruksion” e Rrok Gjokës, të cilën kanë ofruar vlerën prej 1 miliard e 716 milion lekë.
Po ashtu sipas SPAK e paracaktuar dhe gara për tenderin e ndërtimt të Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7, ku Bashkimi i Operatorëve Ekonomik, “ALKO-IMPEX General Construcion” e Arbër Abazit dhe “2-T” Artan Sakos dhe Dritan Troksi, është zgjedhur fitues nga Belinda Balluku dhe Evis Berberi, në vlerën 2 miliard e 353 milion lekë reja.
Lista 7 tenderat dhe Fituesit
1 – Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT
“Salillari” me vlerë 2 miliard e 283 milion lekë të reja fituesi
Skualifikohet “Gener 2” i Bashkim Ulaj
2- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri, Loti 2”
“4 A-M dhe “ED KONSTRUKSION” dhe “I.D.K – KONSTRUKSION” me vlerë 2 miliard e 485 milion lekë
3- Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana
“ALB-STAR” me vlerë 2 miliard e 559 milion lekë të vjetra
4- Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4
“EUROTEOREMA PEQIN” dhe “PE-VLA-KU” si dhe “NOVA Construction 2012” me vlerë 1 miliard e 991 milion lekë.
5 – “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5
BASHKIMIT TË OPERATORIT EKONOMIKË
“G.P.G. COMPANY dhe SENKA” me vlerë 1 miliard e 802 milion
6- Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6
“Gjoka Kontruksion” me vlerë 1 miliard e 716 milion lekë
7- Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7
BASHKIMIT TË OPERATORËVE EKONOMIKË “ALKO-IMPEX General Construcion” e Arbër Abazit dhe “2-T” Artan Sakos me vlerë 2 miliard e 353 milion lekë reja.
Zbardhet vendimi i gjykatës së Durrësit që çoi në lirimin e Arbër Paplekajt, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 21 prill të 2021 në lagjen “5 Maji”, në Elbasan. Vrasja e Pjerin Xhuvanit, ndodhi pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të 2021.
VENDIMI I GJYKATES VENDIMI
1.Pranimin e kërkesës së kërkuesit A.P.
2.Lirimin me kusht të kërkuesit (të dënuarit) A.P, për pjesën e mbetur të pavuajtur prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë burgim.
3.Në bazë të neneve 61 dhe 64 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P.të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës gjatë periudhës prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës së mësipërme.
4.Bazuar në nenin 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P. të mos shoqërohet me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
5.Urdhërohet lirimi A. P. nga Dhomat e burgimit të I.E.V.P Durrës nëse nuk mbahet i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
6.Një kopje e këtij vendimi i dërgohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për zbatim.
7.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall më datë 16.12.2025 bw
Komentet