Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar më tej treguesit demografikë në vend, pasi numri i lindjeve ka qenë më i ulët se i vdekjeve në dy tremujorët e fundit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë 2021 shtesa natyrore e popullsisë shënoi nivele negative, pasi numri i jetëve të humbura ishte 3651 më i lartë se i lindjeve. Shtesa natyre e popullsisë shënoi rënie për të dytin tre mujor radhazi.
Numri i lindjeve për tremujorin e parë 2021 është 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Numri i vdekjeve për tremujorin e parë 2021 rezulton 9.657, duke shënuar një rritje prej 55,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2020.
Shtesa natyrore e popullsisë, diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve në tremujorin e parë 2021, pësoi një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, nga 153 në -3.651 në 2021.
Në tremujorin e parë 2021, vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Kukësit, ku numri i lindjeve tejkalon me 10 numrin e vdekjeve, ndërsa ai më i vogël regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku vdekjet tejkalojnë me 681 numrin e lindjeve.
Lindjet rënie në tetë qarqe
Në tremujorin e parë 2021, katër qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në tetë të tjerat numri i lindjeve është ulur, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në tremujorin e parë 2021, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.020 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 113 lindje.
Rritjen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Gjirokastrës, me 18,9 %.
Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Vlorës, me – 16,7 %.
Vdekjet rritje në të gjitha qarqet
Në tremujorin e parë 2021, të gjitha qarqet e vendit kanë shënuar rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Në tremujorin e parë 2021, numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 168 vdekje, ndërsa ai më i madh në qarkun e Tiranës, me 2.701 vdekje. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Korçës, me 11,5 %. Rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Tiranës, me 77,5 %.
Komentet