Shqiptarë!
Më 25 të Dhetorit 1918, përfaqsuesit e juej, të përbashkuem në Durrës në Mbledhje Kombtare, e mbaruen kuvêndin me formimin e njê qeverie të përkohëshme, së cilës i u vu për detyrë kryesore t’i rrëfente e t’i provonte botës se në mest t’Adriatikut e të Jonit më nj’anë, të Vardarit, të Bosnes e të Malit-të-Zi më tjetrën, rron njê komb qi kërkon vêndin e vet ndërmjet Shtetënvet të lirë të rruzullimit. Ç’ka bâmun kjo qeverí deri tashti për me i ardhun rreth kësaj barre të shenjtë e të rândë? Shumë sênde mund të ju kenë mërrimun në vesh, të mira e të këqia, por mâ tepër të këqia se të mira, e neve, qeverín t’uej, rasa të jashtzakonshme e të pamundshme, na kanë pasë bâmun të pazotnit, deri në këtê ças, me dalun para jush me provat zyrtare në dorë për me mos ju lânë në dyshim e në kujdes mbi veprën t’onë. S’ka qênë besuem se puna do të shkonte kaqë gjatë e shpresojshim dita më ditë, se do të mundeshim me ju parashtruem, me anë të nji Mbledhieje Kombtare, nji fund të gëzueshëm e të lumnueshëm për fatin e atdheut t’onë të dashun. Por Konferenca e Paqës, mbas si e ka lânë më nj’anë udhën e madhnueshme të haptë e të shkurtën të drejtësís, mbas si pra i ka pëlqyem me çamun ferra e male tue kërkuem në të tâna çâshtjet e botës, e sidomos n’ato qi u përkasin kombeve të pafuqishme e të vogla si na, tue kërkuem gjithmonë interesën, të mbështetun mbi padrejtësín, kapërceu gjymsën e motit pa mërrijtun n’as njê vêndim të premun. Çâshtjen t’onë e ka marrë për dorë deri tashti vetëm kur ka thirrun Dërgatën Shqiptare për me parashtruem kërkesat qi kishte vajtun të bânte n’êmën të Shqipnís; edhe kur deshi të gjykojë kërkesat greke mbi tokën t’onë me anë të nji komisioni të posatshëm, ku qe thirrun edhe Dërgata e jonë e pyetun, mbas si përfaqsonte bash të zotnit e atij vêndi (Epirit t’Epër), thirrun e pyetun sa për formë, tue qênë se shumë prej asish qi ishin mbledhun me e ndëgjuem e dijshin qyshë parandej se ku u duhej me mbërrimun. Kaqë, deri sod, e as gjâë tjetër zyrtare në Konferencën e Paqës për çâshtjen shqiptare, e cila mundet me u quejtun fare e paprekun, mbas si të gjitha çâshtjet qi bisedohen nëpër komisionet i kqyrë e i vêndos mâ në fund vetë Konferenca.
Nuk duhet të na pakojë shpresën kjo vonesë neve Shqiptarvet, por për kundras të na e shtojë. Anmiqt i kemi të tânë me njê organizim shekullor e ka mot e jetë qi punojnë për dâm t’onë sa me fjalë, sa me pêndë e sa edhe me të holla; këto mjete neve na kanë pasë munguem kryekëput deri dje e na janë të pamjaftueshme ndoshta edhe sod.
Ka njerëz në botën diplomatike qi, tue na vumun thikën në fyt ne Shqiptarvet, kujtojnë se janë tue shkadhitun nji ferrë, nji bimë t’egër qi i bân jezullí përparimit njerzor! Kështu u a kanë mbushun mênden agjentët e propagandistët e anmiqvet t’anë sa me fjalë aqë me libra të shkruem në gjuhnat mâ të këndueshmet të botës.
Kjo kohë pra qi do të kemi përpara deri sa Konferenca të marrë me zgidhun çâshtjen t’onë, mundet me na shërbyem për me ndriçuem mêndet e zêmrat e atyne qi janë të rrêjtun prej anmiqvet t’anë e kujtojnë se tue na bâmun keq neve janë tue i bâmun mirë njerzís; me i ndriçuem edhe mâ mirë se sa kemi mundun deri sod.
Por mbas si puna shkoi kaqë gjatë e mbas si nuk dihet edhe se deri kur do të zgjatet mbas këndej, e pamë të detyrëshme qi t’i a bâjmë të njohun popullit gjithë ç’kemi shkruem zyrtarisht deri sod me anën e Dërgatës s’onë në Paris. Do të gjêni pra, të dashun bashkatdhetarë, këtu në këtê libërth zyrtar, të tânë dokumentat qi Dërgata e jonë i ka paraqitun Konferencës së Paqës si edhe ndo nji qeverie të ndo njê Pushteti të Madh veçanërisht, deri më 5 të Qershorit qi kaloi. Janë përkthimet fjalë për fjalë të shkresavet zyrtare qi Dërgata ka paraqitun drejt për drejt nga ana e vet. Përveç këtyne i janë paraqitun Konferencës me ndërmjetsín e Dërgatës s’onë, edhe shkresa nga ana e përfaqsuesve qi Shqiptarët e përjashtëm kanë dërguem në Paris.
Sikurse do të merrni vesht prej këndimit të kujdesshëm të dokumentavet qi po ju paraqesim në këtê libërth, Dërgata Shqiptare e ka zbatuem pikë për pikë programën qi i ka qênë caktuem si prej Mbledhjes Kombtare ashtu edhe prej qeverís. Kjo programë âsht kreit e këthjelltë dhe e kuptueshme prej kujdo: Shqipnia e Shqiptarvet me kufîjt qi i ka falun Zoti deri ku flitet gjuha e âmbël e zogjvet të shqipes.
Duhet t’a dini, ju Shqiptarë, se anmiqt e atdheut e të kombit t’onë punojnë, si ç’kanë punuem gjithmonë, jo vetëm përjashta, por edhe mbrênda në vêndin t’onë, e sidomos përmbrênda, për me na qitun para botës, para atyne qi do të gjykojnë fatin t’onë, të damun e të përçamun, jo si njê komb qi meriton jetën e vet më vete, por si disa fise qi s’kanë pasun kurrë bashkim njêni me tjetrin, si njerëz t’egjër e të padisiplinë qi, po të lêhen më vete, kishin me ngrânë shoshoqin për së gjalli e kishin me turbulluem paqën e përgjithëshme. E për me mbërrimun në këtê qëllim të fshehtë e të mallkuem s’lânë çark pa ngrehun qi të bâhen sa mâ shumë vrasa e vjedhsina e ç’do sênd tjetër qi âsht kundra ligjës e njerzís e të gjitha këto i qesin mandej me shtesa të çuditëshme me të tâna gazetat e botës.
Shqiptarë, ju e dini fort mirë qi ku s’ka besë e qeverí të këqiat s’mêngojnë kurrë. Prandej pra anmiqt ju shtyjnë sa munden me prishun besën e me ju hekun ç’do besim prej qeverís s’uej, tue ju thânë se kjo po ju tradhton, po ju shet, s’po punon për Shqipní, por për atê a për këtê. Nga do qi të ju vijnë këto të shpifuna të poshtra, nga i jueji a nga i hueji, nga i afërmi a nga i largti, t’a dini se nji qëllim të vetëm kanë: me ju futun dyshimin e mosbesim në zêmrat, me ju bâmun qi të mos njihni qeverín t’uej por nji të huejën, cila do qoftë ajo; se vetëm kështu munden t’i thonë botës: “A e shihni? Shqiptarvet u pëlqen ja anarkia qi të munden me vumun në veprim naturën e egër të tyne, ja se njê qeverí e huej, tue qênë se në shoqishoqin s’kanë besim e nderim!”
Në të gjitha viset e botës, në kohna të vështira, populli i nep qeverís mâ të plotin besim e nderim, pa të cilat ajo s’ka se si të veprojë për me qitun në bregt barrën qi ka marrë për sipër; dhe në fund, në pastë ndonji dyshim prej saj, e thërret përpara gjygjit e po pati tradhtuem i dëften shtyllën trikâmbshme!
Qevería e Përkohëshme, për me qênë e zôja me luftuem kundra ç’do anmiku të Shqipnís e ç’do të hueji qi mundohet me hymun në mest të saj e të popullit shqiptar, ka nevojë të ketë besimin e ndihmën e gjithë këtij populli, të cilit, me anë të këtij libërthi, po i del para me dokumentat zyrtarë të derisodshëm, sikurse ka me i dalun, po sa të ketë marrë çâshtja e Shqipnís nji fund, me i dhânë hesapin e të tâna vepravet të saja e me i u shtruem gjygjit të tij me ball të hapun!
Mustafa Kruja
Marrë nga libri “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
“Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”
Komentet