Si do të jetë pjesëmarrja e qytetarëve në këto votime?
Kjo është pyetja që i shoqëron gjatë këtij tranzicioni të gjitha zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë. Kjo është edhe gjëagjëza së cilës nuk i qasen dot as sondazhistët më të rryer, të huaj apo vendës.
Përfytyroje pak 21 qershorin. Një popull votues që ka rënë vonë për të fjetur dhe që zgjohet vonë nga gjumi. Jo pse është e dielë. Jo pse është e dielë e veçantë. Sepse atje çdo ditë është e dielë, çdo ditë është e dielë e veçantë.
Përfytyroje popullin votues të sapozgjuar nga gjumi tek vërshon drejt kafeneve, në radhë të pafundme, mes borive dhe tymrave, për të filluar ditën e re me telefonatat e përditshme, qofsh i punësuar apo i papunë, qofsh zyrtar apo qytetar i thjeshtë.
Plus këtyre, pyetja:
Si do të mbajë moti më 21 qershor?
Nëse do të jetë ditë e nxehtë, atëherë populli votues do të zhvendoset nga kafenetë në bregdet. I gudulisur në trup dhe në shpirt, në të përbrendshme e në të përjashtme, nga dielli i ditës kur pranvera ia lë vendin verës, pra stina e luleve ia lë vendin stinës së diellit dhe detit, populli votues vështirë se do të kujtohet se diku në botë ka kuti votimi.
Jeta në Republikën e Shqipërisë, megjithatë, nuk përshkohet krejt nga nota të tilla lirizmi. Pakënaqësia është e para që vizatohet dhe lexohet në fytyrat dhe në fjalët e pothuaj çdo qytetari. Pakënaqësia është zhgënjim, është lodhje, është dëshpërim dhe zemërim. Pakënaqësia e përgjithshme në vendin tonë është pothuaj absolute.
Pakënaqësi ka edhe në vendet e zhvilluara demokratike. Ka pakënaqësi për dukuri të caktuara. Pra, pakënaqësi relative. Dhe kjo pakënaqësi aktive shprehet me pjesëmarrje të lartë në votime. Të gjitha ndryshimet e mëdha politike në këto vende bëhen pikërisht nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë në votime.
Në vendet e pazhvilluara, me demokraci të prapambetur, pakënaqësia shprehet kryesisht me bojkotime masive të kutive të votimit. Kjo vjen për disa arsye: nga humbja e shpresës, nga humbja e perspektivës, nga frika, nga papërgjegjshmëria.
Politika e papërgjegjshme i shikon këto si favore të saj. Dhe bën gjithçka për t’ua humbur qytetarëve të saj ndjenjën e kurajos, të përgjegjshmërisë, të pjesëmarrjes në fatin e vet. Prandaj propaganda e saj i tulat, i përgjum dhe i trullos qytetarët, i detyron që fatin e vet ta lënë në duart e blerësve dhe shitësve të votës, i detyron që pakënaqësia e tyre të jetë pakënaqësi pasive.
Populli ndihet se është i dobëti, ndërsa politika ndihet se është e forta. I pari e ndien se vetëm dobësohet, e dyta ndihet se vetëm se forcohet.
Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më shumë iu ngushtohet hapësira shitësve dhe blerësve të votës. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më shumë ulet e kostoja e qytetarëve dhe rritet kostoja e shitlblerësve të votës së 21 qershorit.
Dy vjet më parë në Republikën e Shqipërisë ishte pikërisht pjesëmarrja ndjeshëm më e lartë se herët e tjera ajo që ia dha humbjen e rëndë një pale dhe fitoren e bujshme një pale tjetër.
Kjo ishte një pakënaqësi aktive e qytetarëve votues të Republikës së Shqipërisë. Një pakënaqësi e shprehur me mjete qytetëruese dhe demokratike. Pavarësisht se, si pothuaj të gjitha zgjedhjet në këtë vend, ishte e njollosur me dukuritë e njohura negative zgjedhore që sa vijnë e theksohen.
Detyra e politikës së përgjegjshme, ndërtuese, vizionare do të ishte që popullin votues ta çojë tek kutitë e votimit sa më masivisht, sa më të qetë, sa më të lirë dhe sa më të kthjellët.
Nëse kjo politikë i mungon këtij vendi, atëherë kjo barrë do t’i binte një shoqërie qytetare e cila t’i gëzonte të gjitha ato tipare që u përmendën më lart. Kjo barrë do t’iu binte të gjithë atyre faktorëve që nuk janë gjunjëzuar ende përballë politikës.
Duke marrë pjesë masivisht, duke votuar në liri të plotë për kandidatin më të mirë dhe jo për kandidatin më të fortë, populli votues në Republikën e Shqipërisë do të shprehte pakënaqësinë e tij në mënyrë aktive, kështu që do të sillte ndryshimin, për të mos qenë më një popull i papunë, një popull që nuk punon.
Dhe do t’ia jepte politikës mësimin e duhur: do t’ia jepte asaj mësimin e duhur me mjetet qytetare dhe demokratike jo me mjetet barabare dhe mizore që përdor politika.
Komentet