Rusia shkeli hapësirën ajrore të Polonisë të dielën në orët e para të mëngjesit me një raketë kruz të drejtuar ndaj objektivave në Ukrainën perëndimore, thanë forcat e armatosura të Polonisë.
Rusia lëshoi 57 raketa dhe dronë kundër Ukrainës në orët e hershme, përfshirë një sulm në Kiev dhe rajonin perëndimor të Lvivit pranë kufirit polak.
“Më 24 mars në orën 4:23 të mëngjesit (0323 GMT), ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore polake nga një prej raketave kruz me rreze të gjatë veprimi të lëshuara gjatë natës nga aviacioni i Federatës Ruse”, thanë forcat e armatosura polake në platformën e mediave sociale X.
“Objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow (Vojvoda e Lublinit) dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, ai po vëzhgohej nga sistemet e radarëve ushtarakë”.
Ministria e Jashtme polake synon të thërrasë ambasadorin rus për sqarime për shkeljen e hapësirës ajrore, tha zëvendësministri i jashtëm Andrzej Szejna për televizionin privat Polsat News.
Polonia i bën thirrje Rusisë “të ndalojë sulmet ajrore terroriste mbi banorët dhe territorin e Ukrainës, t’i japë fund luftës dhe të merret me problemet e brendshme të vendit”, tha zëdhënësi i ministrisë në një deklaratë.