Polonia ka arrestuar një lojtar rus të hokejit i cili dyshohet se ka spiunuar për Moskën gjatë kohës që ka luajtur për një ekip në një shtet të Bashkimit Evropian.
Kështu tha Qeveria polake më 30 qershor.
“Personi i arrestuar është atlet profesionist nga një klub i hokejit që gjendet në ligën e parë”, tha Qeveria përmes një deklarate, duke shtuar se shtetasi rus jeton në Poloni që nga viti 2021.
Ai është akuzuar nga autoritetet polake për spiunazh dhe i është caktuar masa e paraburgimit për tre muaj.
“Në territorin e Polonisë, ai ka kryer detyra për shërbimin e huaj të inteligjencës, përfshirë identifikimin e infrastrukturës kritike në disa rajone”, u tha në deklaratë.
Shtetasi rus është arrestuar më 11 qershor në rajonin Silesian në jug të Polonisë, tha Qeveria, pa dhënë më shumë detaje se në cilin ekip ka luajtur i arrestuari.
Sipas Prokurorisë polake, personi i arrestuar është individi i 14-të që është arrestuar si pjesë e një hetimi për “një rreth spiunazhi që ka bashkëpunuar me shërbimet speciale ruse”.
“Të dyshuarit, të identifikuar si shtetas të huaj nga shtetet në lindje të kufirit, kanë kryer aktivitete të inteligjencës dhe propagandës kundër Polonisë”, tha Zyra e Prokurorit përmes një deklarate.
Në mesin e aktiviteteve që ata dyshohet se kanë kryer janë edhe “monitorimi i rrugëve hekurudhore” dhe përhapja e “propagandës kundër NATO-s, Polonisë dhe politikës së Qeverisë polake”, tha Prokuroria. rel