Deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo në një status në rrjetet sociale hedh akuza të forta për kreun e degës së Partisë Socialiste në Peqin, si person që ka lidhje me vdekjen e të riut në Sharrë disa ditë më parë.
Sipas Pollos, ai “ka shkelur rëndshëm rregullat e sigurimit teknik me pasojë vdekjen e një 17 vjeçari” dhe “është arratisur e fshehur pasi prokuroria i preu urdhër-arrestin”.
Statusi i Genc Pollos:
E pabesueshme por e vërtetë!
E pabesueshme në një vend normal.
E vërtetë në Shqipërinë rilindiste.
Që kreu i degës së Partisë Socialiste Peqin:
1.-të ketë rastisur ish hajdut i dënuar për vjedhje të pasurisë socialiste nga gjykatat e Partisë së Punës;
2.-të jetë dëbuar nga Italia pas horrllëqeve me “mishin e bardhë”;
3.–të ketë marrë nje license të paligjshme nga bashkia socialiste Tiranë e me të të bëjë goxha para me plehrat e qytetit;
4.-të ketë punësuar të mitur në të zezë;
5.-të ketë shkelur rëndshëm rregullat e sigurimit teknik me pasojë vdekjen e një 17 vjeçari;
6.-dhe të jetë arratisur e fshehur të fshihet pasi prokuroria i preu urdhër-arrestin.
Të gjitha këto nuk janë “normale” por ja që ndodhën.
Ajo që trondit më shumë nga të gjitha është heshtja e udhëheqjes politike. Asnjë fjalë nga socialistët peqinas, nëse ka mbetur ndonjë syresh në strukturat rilindiste. Nuk ka qendrim “na turpëroi, të ikë, ta heqim” ose edhe ” e duam Edurimin, është djalë i mirë, nuk ka faj po e baltosin kot”.
Asnjë llaf nga Veliaj, (përveç ca mallkimeve kalimtare për opozitën e ca kërcënimeve për romët e avokatët e tyre), nga këshilltarët socrilindistë e aleatët ls-integristë (që votuan për kontratën e plehrave) apo nga PS e Tiranës për tragjedinë e për skandalin e Sharrës.
Asnjë tingull nga FREShi zhurmatar që duket i memecosur para fatkeqsisë së të riut e shkaktarëve të saj. As edhe një togfjalësh nga shefrilindisti, i cili shfaqet aty këtu për të shpjeguar gënjeshtrat e stadiumit e për të mallkuar sipas rastit median e opozitën, por nuk bëzan për mynxyrën që bëjnë njerëzit e tij nën hundën e tij. As edhe një thirrje Edurimit të tij për t’ju dorëzuar Policisë.
As keqardhje e ngushëllim për Arditin e të tijtë, as kritikë apo qoftë dhe pyetje për licencen dhënë Edurimit e zullumet që pasuan atë.
E shpreha shqetësimin për këtë lloj mosreagimi dy muaj më parë me rastin e arrestimit të Elvis-Ervin-Enver Roshit (e gjeni më poshtë nëse përsëritja nuk ju mërzit) duke argumentuar se kjo heshtje është në fakt shumë më e rëndë e më keqe se vetë skandali apo krimi. Eshtë në fakt një apologji latente e skandalit dhe e krimit.
Që atëherë E.E.E. Roshi, në arrest shtëpie, u shfaq dy herë publikisht: për të nënshkruar me një kompani private një kontratë tre milion euro për sistemime e ndërtime në një përrua si dhe për të shtruar iftar për punonjëset e bashkisë të gjinisë femërore.
Komentet