VOAL

VOAL

“Drejtësi deri në fund për Martinin”- Protestuesit: Plotësoni kërkesat tona deri të mërkurën ose prindër e nxënës bojkotojnë mësimin në gjithë vendin

Është mbyllur protesta e sotme përpara Ministrisë së Arsimit, për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe babai i viktimës, tezja dhe gjyshi i viktimës. Ndërsa babai nuk fliste dot, për shkak të gjendjes së rënduar emocionale, në protestë ka folur gjyshi. Ai tha se do kërkojnë drejtësi deri në fund për Martinin.

Gazetari Renaldo Salianji raporton për Balkanweb se protestuesit thanë ndër të tjera se nëse nuk plotësohen 8 kërkesat e tyre deri të mërkurën, do të bojkotohet mësimi në mbarë shkollat e vendit. Qytetarët protestues kërkojnë ndër të tjera më tepër punonjës socialë në shkolla, më shumë oficerë policie, më tepër siguri etj. Në këtë protestë ishte edhe aktori i njohur Florjan Binaj,  që tha se tubimi sot bëhet që fëmijët në vend të kenë një të ardhme të paqtë.

Renaldo Salianji: Në protestë ka qenë i pranishëm ishte dhe gjyshi i Martinit, si dhe babai e tezja e adoleshentit. Gjyshi tha se do kërkojnë drejtësi deri në fund për 14-vjeçarin. Protesta për sot është mbyllur. Protestuesit kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e adoleshentit, duke thënë se nëse nuk plotësohen tetë kërkesat e tyre, prindërit dhe nxënësit do të bojkotojnë mësimin të mërkurën.

  • foto galeri

 

 

Një protestues nga Elbasani iu ka bërë thirrje qytetarëve që të bojkotojnë procesin mësimor, nëse nuk ka përgjigje për kërkesat e tyre nga Ministria e Arsimit. Protestuesi kanë kërkuar të shtohen punonjësit socialë në shkolla, të shtohen oficerët e sigurisë etj. Aktori Florjan Binaj tha se protesta është për të ardhmen e fëmijëve. Edhe në këtë protestë është hedhur bojë e kuqe përpara Ministrisë së Arsimit. Protestuesit thanë se ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e pafajshëm të Martinit. B

Gjykata e Posaçme dënon me 2 vite e 8 muaj burg Vangjush Dakon

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e tetë muaj burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Gazetarja Klodjana Lala raporton për Balkanweb se Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg për të tre.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kërkoi për Dakon pikërisht 2 vite e 8 muaj burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, në lidhje me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Aktualisht ish-kryebashkiaku i Durrësit ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe nuk është paraqitur vetë në seancë, por përfaqësohet nga avokati i tij Petrit Ismaili.

Avokati Ismaili kërkoi pafajësinë e klientit të tij, ose në rast të shpalljes fajtor, kërkoi pezullimin e dënimit me burg.bw

Operacioni i Europol- GJKKO cakton masat e sigurisë për 21 persona, gjyqtarë, oficer policie, avokat dhe gazetarë

Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:

Arrest me burg –  18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);

Arrest në shtëpi –  1 avokat;

Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore –  2 gazetarë.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.

Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme. sn

Berisha: Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno. Ai nuk ka lidhje me Artan Hoxhën që është anëtar i bandës së Bajrëve

Kryetari i Partisë Demokratike ka reaguar për masat e dhëna nga SPAK për 2 gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha.

Berisha: Së fundmi, nuk mund ta mbyll këtë ekspoze para jush pa dënuar me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin.

Rrëmbimi i tij nga Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë.

Grabitja e telefonave të tij për të shpëtuar Edi Ramën nga dokumente që e kompromentojnë atë në mënyrën më serioze, duke filluar nga udhëtimi i tij në Aruba tek dhuratat gjysmë milionë euro, etj, etj, përbëjnë një akt kriminal të vërtetë në mbrojtje të Edi Ramës.

Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno.

Sikundër i shpreh atij solidaritetin tim më të plotë dhe të PD.

Ata që vendosën këto masa, ata kërkojnë të mbyllin kanalet e transparencës së medieve.

Vendosja e masave njëkohësisht ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar dhe trim, me Artan Hoxhën, anëtar i damkosur i bandës së Bajrit të partisë, i paguar nga bandat, por i mbrojtur nga Altin Dumani, gjer së fundmi u detyrua të vendosë një masë arresti shtëpie, ndërkohë që informoi publikun se dokumente zyrtare faktojnë se Artan Hoxha ka shkelmuar detyrën e gazetarit dhe është bërë anëtar aktiv, i paguar i bandës Bajri-Gjoka të partisë.

Nuk kanë asnjë lidhje këta dy gazetarë me njëri-tjetrin, lidhja qëndron në poshtërsinë e Altin Dumanit, që kërkon t’i paraqesë të inkriminuar së bashku.

sn

Dumani rrëzon vettingun, pranon me gojën e tij korrupsionin në institucionin që drejton: Na kanë hyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar në sistem…

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka qenë pjesë e tryezës së organizuar nga Shoqëria Civile, për luftën kundër korrupsionit.

I vënë në akuzë nga publiku dhe opozita, ku rezulton se prokurorë të SPAK dhe gjyqtarë janë të korruptuar dhe lidhur me bandat kriminale, Altin Dumani ka filluar të lëshojë deklarata endemike se në sistem ka ende njerëz të korruptuar që kanë kaluar vettingun, dhe në vend që t’i hetojë, Dumani ia kërkon këtë gjë Shoqërisë Civile.

“Shoqëria Civile është e ftuar të bashkëpunojë me SPAK-un për tematika të caktuara”, tha Dumani.

Më tej, kreu i Prokurorisë së Posaçme foli për procesin e vetingut ku sqaroi se SPAK-u sot që flasim ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë të Apelit, prokurorë të Përgjithshëm, të Shkallës së Parë, oficerë të Policisë Gjyqësore. Por nuk thotë dot pse rasti i arrestimit të prokurorit të Vlorë, Zarka, nuk u shoqërua me mërrjen në pyetje edhe të Taulant Ballës për Toyota Yaris?

Kujtojmë se SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë fakte për Irena Gjoka-Maneku-Shpata, për shembull, të ardhura edhe nga Greqia dhe ajo vijon ende punën e pashqetësuar. Vetë Dumani nuk ka sqaruar ende vilën dhuratë që ka marrë nga kisha.

Me deklaratat e fundit, kreu i SPAK ka rrëzuar vetë gjithë reformën në drejtësi, pasi vetting-u ka qenë elementi bazë mbi të cilin u ngrit kjo reformë, sa kohë që aty është gjykuar politikisht dhe kanë hyrë në sistem njerëz të korruptuar, do të thotë se reforma është nul.

 “Ne nuk kemi qenë të verbër apo të shurdhër nga pretendimet e programeve të vetingut. Ne kemi regjistruar procedim penal në bazë të funksionit tonë duke marrë shkak dhe shërbyer si inidicie vetëm nga organet e vetingut.

Ne jemi të kujdesshëm dhe përpiqemi që persona të caktuar në institucion të bëjnë një filtrim të organeve të vetingut nëse në pamje të parë kemi indicie të korrupsionit ne kemi regjistruar procedim penal për gjykatë. Sa u takon mjeteve të provës dua të bëj një dallim për veprën penale, nuk lejohet përgjimi sepse nuk parashikon kriteret e neneve, ne i kemi përdorur llojet e përgjimeve apo mjete të tjera të kërkimit të provës.

Sa i takon në tërësinë e tyre, sot që flasim SPAK-u ka marrë në ndjekje penale gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarë të Apelit, prokurorë të Përgjithshëm, të Shkallës së Parë, oficerë të Policisë Gjyqësore.

Shqetësimi më i madh nuk janë ata që janë shkarkuar, por ata që e kanë kaluar këtë proces dhe janë ende pjesë e sistemit dhe është rrezik sepse po kryejnë korrupsion”, tha Dumani.

sn

Dosja 5D/ “Hetim i zgjeruar”, Këlliçi flet pas daljes nga SPAK: Duhet të ndiqet penalisht si grup i strukturuar kriminal!

Drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme.

Në fjalën e tij pas daljes nga SPAK, Këlliçi u shpreh se është thirrur në lidhje me denoncimet e tij për aferën “5D”.

Ai u shpreh se nuk mbyllet hetimi i SPAK vetëm me personat ndaj të cilëve është marrë një masë sigurie, duke sqaruar se shtë një hetim i zgjeruar.

“U paraqita në SPAK në vijim të kërkesës së prokurorit të çështjes, dosjes 5 D, ku pata një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me oficerin e policisë gjyqësore në raportin e dosjes famoze 5 D.
Për ato pjesë që janë pjesë e sekretit hetimor që më është kërkuar mos ti bëj publike nuk do t’i bëj por po ndalem në deklaratat e mia

Vijoj i qendoj kërkesës për zbatimin e rekomandimit të Apelit GJKKO të hetimit të Jola Bejko që ka deklaruar në komunikime privarte se hoteli është në pronësi të Lali Erit.

Të zbulohet roli i administratorit ndaj të cilit nuk ka asnjë masë. Dëshmia e tij mund të jetë kyç për zbardhjen e aferës.

Të zbulohet roli i titullarëve të autoritetet kontraktor, Veliaj dhe ish zv kryetari i bashkisë Tiranë, Mazniku.

Ti shkohet deri në fund zbardhja e rolit të Herjon Rrapaj,

Kërkova nga SPAK të hetojë krimet zgjedhore dhe të evidentohet dëmi në buxhet dhe të sekuestrohen asetet e këtyre shtetasve e t’i kthehen qytetarëve.

Nuk mnbyllet ky hetim me personat ndaj të cilëve është marrë një masë, është një hetim i zgjeruar. Të hetohet si grup i strukturuar kriminal”, tha ai. bw

Babai i të miturit të plagosur: “Janë 2 vrasës! Autori i dytë po tenton të largohet nga vendi”

Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit që mbeti i plagosur me thikë në sherrin ku vdiq shoku i tij i ngushtë, Martin Cani, ka rrëfyer se janë dy të mitur bashkëpunëtor në krim.

 

Ai ka rrëfyer se autori i dytë Kledjon B., shoku i ngushtë i 14-vjeçarit të arresuar M. Përlleshaj, po tenton të largohet nga vendi së bashku me prindërit e tij dhe kërkoi nga policia që të arrestohet.

“Është goditur nga dy persona, janë dy vrarës, jo 1 autor vrasës. Personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin me thikën mbas shpine është Kledjon B. Kërkoj arrestimin e tij sa më shpejt sepse kam marrë vesh që personi i dytë do që të largohet, ka marrë prindërit dhe do të largohet, ose është larguar”, u shpreh në një intervistë për TCH.

Babai i 14-vjeçarit, i cili ndodhet në intubim në spital pasi është goditur 5 herë me thikë, u shpreh se autori i dytë duhet të vetëdorëzohet së bashku me armën që, sipas tij, kreu krimin. Ndërsa rrëfeu mes lotësh edhe momentin kur mori vesh vdekjen e Martinit.

Fiqiri Meçe: Luisi është në një fazë rikuperimi, ndodhet në intubim. Është goditur nga dy persona, janë dy vrarës, jo 1 autor vrasës.

Personi i dytë me thikën më të vogël që ka goditur Luisin me thikën mbas shpine është Kledjon B. Kërkoj arrestimin e tij sa më shpejt sepse kam marrë vesh që personi i dytë do që të largohet, ka marrë prindërit dhe do të largohet, ose është larguar. Personi Klejdi B. është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit ta dorëzojë dhe të shkojë të dorëzohet në polici. Nëse shteti nuk merr masa, do të marrim ne në mënyrë private. Siç e kanë zgjidhur ata me fëmijët tanë, që kanë hyrë në mes për të ndarë sherrin dhe ato kanë shkuar e kanë goditur.

Luisi ka dëshmuar dhe e njeh djalin, ka goditje edhe në sy. Emri i djalit të dytë nuk ka qarkulluar në media dhe ka pasur thikën më të vogël se ajo që është publikuar në internet, e ka goditur djalin time nga mbrapa. Plaga në shpinë është më e hollë dhe më e thellë.

Martinin kam 8 vite që e marr me makinë e çoja me djalin tim në stërvitje. I njoh personalisht se i kam komshinj, i gjithë sherri që është bërë në shkollën kur Martini studionte ka ardhur për shkak të vëllait. Personi që e ka goditur me thikë e ka ofenduar nga vëllai dhe Martini është ndjerë keq dhe ka reaguar. Ky ëshë gjithë sherri, s’ka ndodhur as për TikTok, e as për vajzë, e as për SnapChat.  Në momentin që kanë ardhur djemtë i kanë pyetur “Ku ka lule këtu?” Një shprehje që ne përdorim për një person kur e dërgojmë në varreza.

Po kthesha nga puna në Elbasan dhe më thanë në telefon “Martini vdiq”, ishte shumë shokuese, jo vetëm për mua, por për këdo. Isha aq i lidhur me fëmijët, kam bërë një britmë aq të madhe dhe mendja më shkoi tek miku im i dashur, që sot pret ngushëllime tek shtëpia dhe djali i vogël që është në parajsë, u ndjeva keq. Ndjej keqardhje për atë djalë, por s’di si të ngushëlloj të atin. Kur isha për vizitë për t’i qëndruar afër më tha “Nuk kam lot më, nuk qaj dot më”. Panorama

Protesta e 26 nëntorit- Salianji letër nga qelia për mbështetësit: Manifestim dhe revoltë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili aktualisht vuan një dënim me burg si i burgosur politik i kësaj narkoqeverie , ka publikuar një tjetër letër nga qelia.

Salianji reflekton mbi gjendjen e tij, kushtet e burgut dhe realitetin e Shqipërisë së sotme. Ai i krahason kushtet e tij me atmosferën e rënduar politike dhe shoqërore në vend, duke kritikuar qeverinë për keqqeverisje dhe dështime institucionale.

Salianji përmend vrasjen tragjike të një 14-vjeçari, duke e cilësuar si simbol të dështimit të strukturave shtetërore për të mbrojtur qytetarët. Duke vënë theksin tek mungesa e reagimit masiv të shoqërisë, ai i bën thirrje qytetarëve të rezistojnë, të shprehen dhe të manifestojnë për ndryshim. Letra prek temën e apatisë dhe indiferencës, duke e konsideruar si rrezikun më të madh për demokracinë. Sipas tij, heshtja dhe mospjesëmarrja janë terreni ideal për forcimin e tiranisë. Për Salianjin, zgjidhja qëndron tek revolta dhe mobilizimi qytetar.

LETRA E SALIANJIT:

Letër nga qelia 6 #Manifesto

Nga Ervin Salianji

Për ta ndryshuar situatën, duhet të qendrojmë, të rezistojmë, të ngremë krye.

Shkurtimi i ditës, i ftohti dhe lagështira nuk e kursejnë këtë anë ku është vendosur burgu i Fierit dhe as qelinë nr 6. Këto kushte atmosferike nuk e bëjnë aspak më të mirë një dënim politik. Por, edhe më të rëndë e sjell atmosfera jashtë. Asnjë lajm i mirë nuk mbërrin nga askund në Shipërinë tonë. Punët po shkojnë përherë e më keq.

Teksa parakalon rëndshëm propaganda qeveritare sikur në polici dhe në Ministrinë e Brendshme po bëhet nami me konkurse e ndryshime, pasiguria për jetën ka shkuar në skaj.

Vrasja e 14-vjeçarit në derën e shkollës, pas një sherri të përsëritur, tregon dështimin skandaloz të gjithë qeverisë bashkë me atë dyzinë strukturash që ka në varësi, që janë aty, e kanë për detyrë të parandalojmë që tragjedi të tilla të mos ndodhin.

Nuk mundem as ta imagjinoj se si ndihen prindërit e Martinit. Ama në ekran pashë se i ati dhe e ëma u shfaqen me një kurajo të jashtëzakonshme. Dhe me një mesazh frymëzues. As histeri, as thirrje për hakmarrje. Dhe patën edhe empati, kur thanë se edhe prindërit e autorit s’duhet të jenë të lumtur, pasi asnjë baba nuk do që i biri të bëhet kriminel. Kërkuan drejtësi.

Ky ishte një prej manifestimeve më prekëse dhe më ndikuese besoj në opinion në kohët e fundit. Po ashtu dhe protesta që prindër dhe qytetarë bënë të enjten, marshimi i tyre nga vendi i ngjarjes tek Ministria e Arsimit, ku një ogertë u shfaq në një dritare për të kujtuar këdo se sa arrogante dhe e panndjeshme është rilindja.

Mësohet se fjala “Manifestim”, ka dalë më e popullarizuara, më e kërkuara në botë, sipas fjalorit britanik “Cambridge Dictionary”.

Në fusha të ndryshme, ka kuptim të ndryshëm. Ne si shoqëri në gjendjen ku jemi, kemi nevojë për sensin, manifestim, për të shprehur, për të kërkuar, për t’i dhënë zë asaj që aspirojmë, asaj që duam, asaj që meritojmë.

Europa ku duam të shkojmë, duket kaq larg me aktet që bën sot qeveria e kryeministri.

Vetëm një grimë, një hije, një tentativë reduktimi i lirisë të ketë, në një vend normal të kontinentit dhe në perendim, do të shohësh që kjo do të shoqërohej me manifestime masive.

Edhe pse sot pranohet nga shumë studiues se rreziku më i madh që i kanoset demokracisë është tirania e të ndenjurit mënjanë e qytetarëve, pra apatia.

Tek ne kjo është edhe më e theksuar për fat të keq. Dhe është po ashtu, terreni më i mirë për sunduesin që ka qejf ta shfaqë veten si artist.

Unë shpresoj se manifestimi, revolta, do ta gjejë humusin dhe tek ne dhe do të popullarizohet. Nëse duam një vend normal, duhet ta kërkojmë atë.

Nëse duam zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të maniftojmë për to.

Nëse duam në fund të fundit drejtësi, duhet të gjakojmë për drejtësi.

Asgjë nuk vjen vetë. Aq më keq po tja lësh në dorë qeverisë dhe kryeministrit. Ai ka treguar se zgjedh banditin dhe trafikantin ndërkombëtar të drogës, përpara çdokujt tjetër. Dhe për të mbrojtur një të tillë, sajoi farsën më të paprecedentë gjyqësore, dhe urdhëroi dënimin tim me 1 vit burg.

Kjo erdhi, pasi unë bëra një manifestim. U shpreha, me zë të lartë kundër drogës, kundër kanabizimit, kundër krimit, kundër lidhjes së krimit me Ministrin e Brendshëm, me qeverinë, po në 11 vitë luftova e do vazhdoj të luftoj duke denoncuar modelin e kriminelit që kontrollon institucionet duke u kthyer në model për shoqërinë! Atë që shoqëria duhet ta izolojë Edi Rama e promovon, e ate që duhet ta prokovojë shoqëria si model qeveria e mënjanon dhe e syrgjynos.

Duke parë pasojat, dikush mund të mendojë se manifestimi qenka me kosto. Por, padyshim se më e lartë është kostoja e heshtjes, e qendrimit mënjanë.

Të gjitha paudhësitë e të keqiat, të gjitha të ligat e qeverisjes që kemi, e planeve djallëzore për ndarjen e pasurive dhe të buxhetit të shtetit me klientelë, përvetësimi dhe grykësia e madhe ministrore, këtë dëshiron. Që të mos ketë manifestim e revoltë!

Po shqiptarët nuk duan këtë. Kjo është e sigurtë. Po për ta ndaluar, e për ta ndryshuar situatën, duhet ta kërkojnë, të qendrojnë, të rezistojnë, të ngrenë krye. Të manifestojmë. #26Nëntor

Boshatisen qendrat e emigrantëve në Shqipëri! Operatorët largohen nga Shëngjini e Gjadri, kthehen në Itali

Të gjithë punonjësit socialë të ‘Medihospes’, organit drejtues të Qendrave Italiane në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve, do të largohen nga Shëngjini dhe Gjadri për t’u kthyer në Itali.

kampi shengjin

Sipas, TGCom, operatorët e qendrave të emigrantëve dhe efektivët e policisë do të kthehen në vendin e tyre brenda fundjavës.

Media italiane raporton se nga Ministria e Brendshme rezulton se qendrat mbeten funksionale dhe të mbikqyrura: aktualisht, nënvizojnë burime nga Ministria e Brendshme, stafi është reduktuar dhe ndryshon sipas nevojave të momentit.

Në Gjadër mbeten vetëm 7 punonjës të Medihospes që merren me administrimin dhe pastrimin, si edhe staf shqiptar, përfshirë personelin shëndetësor.

Sipas La Repubblica, operatorët e tjerë do të kthehen të dielën (24 Nëntor) në Itali.

Deri më tani, si transferimi i parë i emigrantëve, ashtu edhe i dyti përfunduan me kthimin e azilkërkuesve në Itali, pas vendimit të Gjykatës së Romës, e cila ia referoi çështjen Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. gsh

“Autori kishte thënë ‘prisni çfarë do ndodhë sot’”- Vrasja e 14-vjeçarit, zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit te “Fan Noli”: Autori nxori thikën në klasë, e dinin të gjithë (Audio)

Krimi që tronditi të madh e të vogël, vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani mund të ishte parandaluar. Kjo pasi konflikti kishte nisur prej disa ditësh dhe për këtë ishin në dijeni dhe stafi i shkollës. Prindërit e shkollës “Fan Noli” akuzojnë mësuesit dhe drejtoreshën e shkollës për mosmarrjen e masave pasi ishin në dijeni të konfliktit.

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan Noli” pas ngjarjes së rëndë. Në audio dëgjohet një prind që i kërkon llogari mësueses dhe thotë se stafi i shkollës kishte dijeni se i mituri ishte i armatosur.

Sipas prindërve, jo vetëm nxënësit, por edhe mësuesja, drejtoresha, psikologia e shkollës “Fan Noli” dhe oficerja kanë qenë në dijeni të thikës që 14-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së Martin Canit mbante në shkollë, ditën e ngjarjes.

“Përgjegjësia juaj ishte që ata fëmijë të mos vinin as orën e 5 e të 6 që kishin marrë leje. Nga e premtja ishte bërë çfarë ishte bërë dhe për zyshën duhet të merren masa, edhe për drejtoreshën. Edhe oficeren. Gjithë çfarë kanë qebë. Edhe psikologu ishte në dijeni”, thotë prindi”.

14-vjeçari u kishte treguar thikën nxënësve të klasës dhe u kishte thënë se për kë e kishte marrë.

 

“Dhe kur gjithë klasa po përpëlitej, ai djali kishte thënë ‘prisni ju çfarë do të ndodhë sot’. Dhe vjen me një thikë kaq! Dhe ua ka treguar edhe shokëve”, dëgjohet në audio.

Në bisedë prindi kërkon llogari nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës për këtë neglizhencë dhe akuzon stafin e shkollës se u kanë sugjeruar fëmijëve të mos flasin me gazetarët apo të japin intervista për ngjarjen.

Martin Cani mbeti i vrarë më 18 nëntor në kryeqytet, pas një sherri me thika. Policia arrestoi si autor të vrasjes 14-vjeçarin M.P., ndaj të cilit është ngritur akuza e vrasjes në rrethana cilësuese. I plagosur mbeti dhe shoku i viktimës. Sherri mes të miturve kishte nisur prej ditës së premte çka ka bërë të ngrihen shumë pikëpyetje se si askush nuk arriti ta parandalonte krimin.bw

Konstitucionalisti Dervishaj: Apriori, me vendimin e djeshëm, GJK e ka rrëzuar arrestin shtëpiak ndaj Berishës si jo kushtetues

Vendimi vetëkundërshtues i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e kryetarit të PD, Sali Berisha, ka qënë temë e diskumit që moderatoja e Syri, Armela Ferko, ka zhvilluar me konstitucionalistin Bledar Dervishaj.

Devishaj theksoi në fjalën e tij se përbërja e GJK është vullnet i tre institucioneve kryesore të vendit, Parlamentit, Presidentit dhe Gjykata e Lartë. Në shumë vendimmarrje të saj Gjykata Kushtetuese ka surprizuar për mirë komunitetin e juristëve, por po ashtu në shumë raste ka surprizuar për keq, siç është rasti i fundit për vendimin ndaj Berishës.

“Nuk është një zhillim pozitiv për drejtësinë dhe as për të ardhmen se si këto çështje të kësaj natyre mund t’i ndeshim sërish përpara asaj trupe gjyqsore. Na ka surprizuar GJK për keq edhe në rastin e marrëveshjes së dy kryeministrave, italian dhe atij shqiptar për çështjen e emigrantëve. Po të shikojmë shumë qartë se si gjykata të niveleve të zakonshme në Itali po vendosin masa preventive për kthimin e emigrantëve aty ky kanë qenë, ndërkohë që kjo marrëveshje do duhet të ishte parë më mirë nga kjo gjykatë dhe të mos anashkalohej siç u bë.

Vijmë te ky vendimi i fundit. Unë e kuptoj tendecën e Gjykatës Kushtetuese sa i takon mosmarrjes përsipër të kostove për të dhënë drejtësi, arrij ta nuhas dhe duket qartë. Bën një piruetë Gjykata Kushtetuese kur vjen puna te interpretimi i normave dhe sidomos te interpretimi përfundimtar duke i ndarë të drejtat dhe liritë e njeriut në disa fraksione. Të drejtat dhe liritë themelore të njëriut, thotë Kushtetuta në nenin 15 të saj janë të pandashme, të patjetërsueshme dhe qëndrojnë në themel të rendit tonë juridik. Tek liria e deputetit, gjykata i ndan. Lirinë e lëvizjes e lëvizjes e trajton në krahasim me të drejtën që ka deputeti, mbrojtjen që i ofron kushtetuta, ndërsa lirinë personale e trajton më vete. JO. Qoftë liria personale, qoftë dhe liria e lëvizjes hyjnë tek ajo normë e të drejtës, në një kapitull që përfshin lirinë dhe të drejtat vjetjake. Ç’ka do të thoqë që, n.q.s Kuvendi nuk ka dashur ta saktësojë ashtu siç GJK mendoi dhe e shprehu, nuk është Gjykata Kushtetuse ajo që duhet të shkuajë një normë të re, një kushtetutë, sepse interpretim nuk ka bërë. Ka shkruar një normë të re. Sepse interpretim nuk ka bërë. Interpretim nuk ka bërë. Në qoftë se Kuvendi ka thënë deputetit nuk mund të arrestohet, nuk mund t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll banese dhe personal, ky paragraf nuk mund të shikohet i veçuar kështu si Gjykata Kushtetuese e ka parë vetëm me nenin 38, por duhet parë në tërësi dhe kontekstin e saj duke iu referuar edhe parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale.”,- tha Dervishaj.

Më tej konstitucionalisti theksoi se Kuvendi i ka ndarë masat kufizuese për deputetin dhe nëse Kuvendi do të donte mund ta kishte përcaktuar ndryshe.

“Apriori do të thotë që në çështjen që ka në shqyrtim ende të pazgjidhur në gjykimin kushtetues, pra të arrestit në shtëpi,  automatikisht Gjykata Kushtetuese e ka shprehur mendimin e saj që ai vendim duhet shfuqizuar. Në qoftë se e ka në lëndë shqyrtimi nuk duhet të vononte, bile në qoftë se e ka të adminitruar do duhet t’i bashkonte bashkë dhe të mabronte punë.

Rezoluta e PPE, Bardhi: Rikonfirmon ndërkombëtarisht të gjitha shqetësimet e ngritura nga opozita në Shqipëri

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas miratimit të rezolutës së asamblesë politike të Partive Popullore Europiane për gjendjen e rëndë të demokracisë në Shqipëri.

Sipas Bardhit, rezoluta e miratuar sot nga Partitë Popullore Europiane (EPP), familja më e madhe politike në Parlamentin Europian, rikonfirmon edhe njëherë ndërkombëtarisht që të gjitha shqetësimet e ngritura nga opozita në Shqipëri, për gjendjen dramatike ku ndodhet vendi, janë legjitime dhe të drejta.

Në Rezolutën e miratuar EPP shpreh shqetësimet e saj lidhur me:

Gjendjen e integritetit institucional që reflektohet në korrupsion endemik dhe mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas standardeve të OSBE-së;

Çdo persekutim politik të pretenduar ndaj liderëve të opozitës, deputetëve dhe zyrtarëve të pushtetit vendor, që po përballen me kufizime të motivuara politikisht të të drejtave të tyre civile;

Lidhjet ndërmjet trafikut të drogës dhe krimit të organizuar me elitën politike dhe me zyrtarët e zbatimit të ligjit, duke shfrytëzuar ekonominë dhe kuadrin politik të Shqipërisë për pastrimin e parave;

Dështimin për të arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore, duke rezultuar në progres minimal në zbatimin e rekomandimeve të pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

Përkeqësimin e ndjeshëm të peizazhit politik me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, i shënuar nga standarde të dobëta zgjedhore dhe kujton paligjshmërinë e përdorimit të burimeve publike gjatë fushatave elektorale;

Veprimet që kanë pakësuar më tej të drejtat kushtetuese të opozitës në Kuvend, duke reflektuar shkelje më të gjera ndaj deputetëve të opozitës.

Prandaj, Partia Popullore Evropiane (EPP):

U bën thirrje autoriteteve kombëtare të respektojnë angazhimet e Shqipërisë për të drejtat kushtetuese dhe standardet demokratike ndërkombëtare, duke siguruar një mjedis të drejtë dhe të hapur për të gjithë aktorët politikë dhe pa persekutim dhe frikësim të opozitës, veçanërisht me afrimin e zgjedhjeve;

Shpreh mbështetjen e palëkundur për përpjekjet e Partisë Demokratike drejt anëtarësimit në BE dhe përkushtimin e saj për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke njohur rolin e tyre në mbështetjen e qeverisjes demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore dhe nënvizon të drejtën legjitime të opozitës për protesta paqësore;

I kërkon Kuvendit të Shqipërisë të intensifikojë përpjekjet e tij në mbështetjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore për të nxitur një Kod Zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe gjithëpërfshirës duke theksuar nevojën për të adresuar të gjitha rekomandimet prioritare të përcaktuara nga OSBE/ODIHR dhe duke theksuar se udhërrëfyesi i qeverisë duhet të përfshijë reformat zgjedhore të bazuara mbi udhëzimet e OSBE/ODIHR;

I kërkon autoriteteve shqiptare që të zbatojnë menjëherë reformat e kërkuara nga BE për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, pa ndërhyrje politike;

Thekson se zgjedhjet e lira dhe të ndershme përbëjnë shtyllën themelore të qeverisjes demokratike, duke kërkuar garanci për pavarësinë e administratës publike nga partia në pushtet. sn

Sqarimi i Kushtetueses: Kërkesa e Berishës për “arrestin shtëpiak” do të shqyrtohet në një seancë tjetër

TIRANË

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar sot vendimin e saj pas shqyrtimit të kërkesëssë ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin vlerësoi se ndalimi i tij nga SPAK ishte bërë në përputhje me ligjin dhe se nuk kishte nevojë për autorizim nga Kuvendi teksa e cilësoi bllokimin e pasaportës jo kushtetues.

Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se është shprehur vetëm për dy masat e dhëna ndaj Sali Berishës që ishin “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, ndërkohë që masa aktuale “arrest në shtëpi” do të shqyrtohet në një seancë tjetër.

“Duke marrë shkas nga lajmet dhe opinionet në media dhe portale, në lidhje me vendimarrjen e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, sqarojmë se vendimi i referohet masave të sigurisë“detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, dhe jo shqyrtimit të masës “arrest në shtëpi”.
Sikurse u deklarua dhe në Konferencën për shtyp të Kryetares Zaçaj, ju sqaroj se për sa i takon vlerësimit të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, kërkesa në lidhje me këtë masë është regjistruar në Gjykatë, në datën 18.11.2024, dhe do të jetë objekti një shqyrtimi tjetër gjyqësor sipas afateteve dhe rregullave të parashikuara në ligj”. bw

“Babai i Martinit punonte në një lokal pranë SPAK”- Klodiana Lala: Në janar do shkonin në SHBA familjarisht…

Gazetarja Klodiana Lala tregon detaje nga vrasja e 14-vjeçarit, Martin Cani,  pranë shkollës Fan Noli në mes të ditës në Tiranë.

Gazetarja Klodiana Lala tha sot në studion e News 24 se babai i Martinit punonte si kamarier në një lokal përballë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Ajo tregoi se babai i 14-vjeçarit kishte plane për të shkuar familjarisht në SHBA në janar të vitit që vjen.

Klodia Lala: Kam patur rastin që në 5 vitet e fundit jam takuar pothuajse çdo ditë me babanë e Martinit sepse ai punon kamarier në një lokal përballë prokurorisë së posaçme, ku aty ne shkojmë çdo ditë për shkak se ndjekim procese gjyqësore. Babai i Martinit kishte thënë se ‘bashkë me Martinin dhe familjen do të largohemi në Amerikë në muajin janar sepse kam bërë bashkimin familjar’, kështu më zbuloi një mikeshë e imja që i kishte thënë babai i Martinit. GSH

Rama përgatitet të ‘përcjellë’ Veliajn para zgjedhjeve – Blendi Gonxhe vjen me ‘urgjencë’ drejtues qarku në Tiranë

Karriera politike e Erion Veliaj duket se po perëndon. Pas aferave korruptive me inceneratorin e Tiranës, të cilën e ka kryer së bashku me Edi Ramën, por veçanërisht me vjedhjen spektakolare të “5D”, ku shpiku një super skemë për gëllabërimin e taksave të qytetarëve të Tiranës, skemë e cila habiti dhe frikësoi edhe vetë kryehajdutin Edi Rama, Veliaj duket se e ka të pashmangshme më dorëzimin para drejtësisë.

Megjithë përpjekjet për ujdi me Ramën dhe Dumanin, gjurmët e vjedhjes janë aq brutale se s’ka ujdi që të mund t’i fshijë, kështu kapoja i Rilindjes përflitet se ka vendosur ta dorëzojë ish-beniaminin e tij para zgjedhjeve të 2025.

Vox news ka publikuar së fundi një artikull ku flitet se Blendi Goxhe është thirrur për të qenë drejtues politik i Qarkut të Tiranës, së bashku me Spiropalin dhe Manastirliun me arsyetimin se Tirana është qark i madh dhe ka nevojë për më shumë drejtues.

Por një burim që nuk pranoi të identifikohet tha për Syri-n se ‘bileta’ për Veliajn është prerë. E vetmja gjë që ende nuk po ekzekutohet është fakti se Lali Eri duket ka gjetur fijet në gjykatë, e cila po heziton të ekzekutojë menjëherë vendimin, por që gjasat janë të mos mundet dot më të pengojë çuarjen para drejtësisë të kryebashkiakut të Ramës.

Kujtojmë se prej kohësh Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa janë futur në hetim pasuror, të dyshuar për pastrim parash.

Fushata në Tiranë aktualisht i është besuar Elisa Spiropalit, Erion Veliajt dhe Ogerta Manastirliut.

Voxnews pretendon se Gonxhja do të angazhohet në të gjithë qarkun e Tiranës, por me theks në zonën e Kombinatit.

Zyrtarizimi i këtyre ndryshimeve mund të kërkojë disa ditë, apo javë, por burimet brenda socialistëve theksojnë se lëvizjet bëhen në kuadër të nevojës për të fuqizuar fushatën në qarkun e Tiranës. sn

Protesta- Pensionistët: Do shkojmë në Kosovë tek Albini ynë se i ka pensionet më të larta

Qytetarë të shumtë u grumbulluan sot përpara Kuvendit për të protestuar në prag të votimit për buxhetin e vitit që vjen.

Të pranishëm ishin shumë pensionistë, që janë shtresa më e prekur nga keqqeverisja e Edi Ramës. Ata kërcënuan se do të largohen në Kosovë, pasi atje pensionet janë më të larta se në Shqipëri.

“Kemi ardhur për t’u drejtuar në drejtim të parlamentit sepse ai është parlamenti që kemi ndërtuar ne. Kemi kontribuar ne dhe jo Spiropali që të na drejtojë Kuvendi.

Të hyjmë në parlament dhe të verifikojmë punën e kryer tonën. Nuk i lejojmë këta sharlatanë të nëpërkëmbin pensionistët.

Si tha kryeministri, mbeturina protestues. Po ai nuk është kryeministër, është hale. Prandaj i bëj thirrje që ne pensionistët, edhe në kohë të vështirë me shi, të bëhemi të fortë dhe ta shporrim këtë sa ma shpejt. Ilaçi më i fortë është ta largojmë menjëherë këtë kryeministër sepse është Shqipëria që kemi ndërtuar ne.

Ka mobilizuar 1500 forca kundër nesh, pensionistëve. Edhe serbi në vitin 1999 nuk ka mobilizuar kaq shumë forca kundër kosovarëve. Turp e faqja e zezë për këtë kryeministër që mashtron me 100 euro apo 150 euro.

Ose na jep pensionin që meritojmë, ose përndryshe do shkojmë në Kosovë tek Albini ynë se ai ka pensionet më të larta,” tha një pensionist.

Protesta u zhvillua nën kushte të këqija të motit.

Pas fjalimeve të qytetarëve dhe pensionistëve, tubimi u mbyll. sn

Mosbindja civile- Protesta e opozitës nis me 1 minutë heshtje për Martinin!

Protesta e opozitës para Kuvendit ka nisur me një akt fisnik.

Qytetarët kanë mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e Martin Canit, 14-vjeçari i cili u vra me thikë ditën e djeshme në kryeqytet, pasi sherrit mes të miturve.

Partia Demokratike paralajmëroi protestë për të kundërshtuar miratimin e projekt buxhetit për vitin 2025. sn

Gazetari jep detaje: I mituri postoi foto në rrjetet sociale pas ngjarjes! Janë përfshirë 7 adoleshentë

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja me thikë në zemër e 14-vjeçarit Martin Cani mesditën e djeshme (18 nëntor) pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, nga një bashkëmoshatar i tij.

 

Gazetari Igli Çelmeta u shpreh në Neës24, se 14-vjeçari i arrestuar si autor i dyshuar i kësaj ngjarje të rëndë, është dërguar në një spital privat në kryeqytet, në mënyrë që të shmangej përplasja me familjarë të viktimës apo të të plagosurit.

Ai tregoi se pas kryerjes së krimit, autori ka pozuar me grushtin lart dhe thikën, armën e krimit, në një makinë që drejtohej nga familjarë të tij.

“Autori së bashku me tre shokët e tij, pas përfundimit të mësimit, sulmuan viktimën dhe u larguan drejt Pazarit të Ri, ku dyshohet se familjarë e dërguan në një spital privat sepse edhe vetë u dëmtua gjatë sulmit.  Autori postoi në rrjetet sociale foto nga arma e krimit, foto të bëra në makinën që drejtohej nga familjarë të tij, duke ngritur edhe grushtin në formë krenarie.

Ndër të tjera, ai tregoi se në konflikt janë përfshirë 7 adoleshentë dhe se ngjaja është filmuar nga kamerat e sigurisë.

 “Viktima ka thirrur edhe ai 2 shokë të tij me të cilët luanin futboll, gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe është zbuluar që të përfshirë kanë qenë 7 adoleshentë. Histori horror, makabër. Motivi ende nuk dihet zyrtarisht, shokët japin variante të ndryshme”, tha ai. Panorama

Me grushtin lart, 14-vjeçari postoi FOTO në Snapchat pasi vrau bashkëmoshatarin

Ky është autori i dyshuar i vrasjes së bashkëmoshtarit të tij të hënën pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Mario P., e ka postuar këtë foto pas vrasjes në aplikacionin Snapchat.

14-vjeçari pozon si për të demonstruar forcën, duke mbajtur një grusht lart. Ndërkohë po në pamje duket dëmtimi që ka marrë në dorë.

Efektivët e policisë ende nuk e kanë gjetur thikën e përdorur në krim. Sot pritet që të merret në pyetje i riu për të dhënë versionin e tij në lidhje me sherrin.

Policia njoftoi se atij iu vunë pranga për “Vrasje me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Aktualisht, i mituri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën si pasojë e dëmtimit që ka pësuar. sn

Djali iu vra në atentat/ Ish-gjyqtari dënoi Shullazin e anëtarin e Camorra-s

Klaudio Prendi, i cili u ekzekutua në mesnatë në zonën e Xhamllikut në kryeqytet, është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Fran Prendi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyre që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme.

Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.

Firmën e tij si kryesues e mbajnë dhjetëra vendime gjyqësore, mes të cilave ai ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij në vitin 2018, si edhe ndaj Salvatore Lettizias, një anëtar i Camorra-s italiane, për masakrën me tre viktima  në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.

Klaudio Prendi humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë në zonën e Farkës është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve.

Vrasja e 14-vjeçarit- “Po rritet një brez shumë i keq”, flasin prindër të shkollës “Fan Noli”: Në vend të vijnë me fletore po vijnë me lule, nuk na bëjnë këmbët

Dhimbja është e madhe në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, aty ku një ditë më parë një nxënës 14-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari me thikë. Të tronditur e të trishtuar nuk janë vetëm nxënësit, por edhe prindërit. Neës24 ka parë nga afër situatën dhe ka folur me disa prindër të fëmijëve që ndjekin shkollën “Fan Noli”. Ata shprehen të shqetësuar dhe të trishtuar.

“Jemi të trishtuar sa s’ka më. Vajza është e tronditur, ka ardhur duke qarë në shtëpi. Jashtëzakonisht të shqetësuar jemi”, tha një prind.

“Po rritet një brez shumë i keq. Të ketë më shumë reputacion nxënësi se mësuesi është t’ia dhesësh racën. Të bëjë më shumë pordhë nxënësi se mësuesi… Thonë bullizim bulizim…”, u shpreh një tjetër prind.

“Si ndihemi sot, nuk na bëjnë këmbët. Në vend se të vijnë me fletore në shkollë, vijnë me lule. S’deshën me ardh në shkollë sot kalamajtë”, tha babai i një fëmije.

Një ish-mësues i shkollës gjithashtu bëri apel që mësuesit dhe drejtoresha të jenë të kujdesshëm.

“Mësuesit duhet të jenë më shumë të kujdesshëm. Drejtoresha mos të rrijë vetëm në zyrë”, tha ish-mësuesi. bw

“Qofsh i xhenetit vëllai ynë!”- Humbi jetën dje nga një thikë në zemër, shokët e klasës së Martin Canit lule e qirinj për vogëlushin e ndjerë (Pamje nga vendngjarja)

Tirana u trondit ditën e djeshme nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarë.

Shokët e klasës i kanë përgatitur një tufë me lule të cilën do ta vendosin tek banka e tij, e cila sot është bosh.

BalkanWeb ka siguruar edhe pamjet nga pas shkollës, vend ku edhe u krye krimi, ku janë vendosur foto të vogëlushit të ndjerë dhe pranë tyre janë vendosur e ndezur qirinj.

“Qofsh i xhenetit vëllai jonë!”, shkruhet në foto.

Genc Burimi: Kjo rezolutë është plumb në lëkurën e Edi Ramës

Gazetari Genc Burimi e ka cilësuar rezolutën për Shqipërinë, të miratuar nga Internacionalja e partive të djathta, si ‘një plumb në lëkurën e Edi Ramës’.

Gjatë bisedës në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Burimi u shpreh se, për këtë rezolutë kanë votuar të gjitha partitë e mëdha që janë në pushtet në Europë dhe më gjerë.

‘Falenderoj SYRI-n që informon shqiptarët për zhvillimet.

Disa javë më parë, një anëtar i CDU-së gjermane, Gunter Krischbaum bëri një reagim personal dhe mediat e pushteti i dhanë jehonë nga mëngjesi deri në darkë.

Sot falë SYRI-t shqiptarët mësojnë se, ndryshe nga Krischbaum është një CDU zyrtare që flet, se anëtar i kësaj internacionaleje të qendrës së djathtë, kemi përfaqësues të shquar të CDU-së, Manfred Weber, mbrojtësi më i flaktë i Kosovë.

Ke Elmar Brok, të firmosë Weberi dhe Brok një rezolutë ku thuhet se, në Shqipëri drejtësia është e blerë, kjo më shokon mua.

Në Shqipëri, sot drejtësia është bërë mashë e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet.

Në këtë internacionale ke Kroacinë, kryeminsitrin aktual, Plenkoviç. Ke Orbanin e Hungarisë që Rama e merrte si aleat.

Kjo rezolutë është plumb në lëkurën e Edi Ramës.

Shqipëria është vendi ku pushtet janë të një personazhi. Sipas rezolutës, Shqipëria njohu rotacion në 2013 dhe që atëherë nuk ka më rotacion, Shqipëria është bërë vendi i mafias dhe korrupionit.

Shqipëria është vendi ku drejtësia ndihmon mazhorancën të mbajë pushtetin, duke futur në burg dhe jep emrat e 5 të burgosurve politik, Berishën, Metën, Salianjin, Mediun dhe Belerin.

As një gazetar shqiptar nuk kishte bërë diçka kaq të kompletuar’, tha Genc Burimi në SYRI TV.

Noka e Bardhi kërkojnë pastrimin e foltores pas kryeministrit Rama, ndërpritet për herë të dytë seanca

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka kërkuar dy minuta pushim për pastrimin e foltores.

Bardhi e mori fjalën pas kryeministrit Edi Rama dhe kolegut Flamur Noka dhe kërkoi që të pastrohej vendi ku do të fliste. Më herët të njëjtin konstatim bëri dhe deputeti Noka. “Të pastrohet urgjentisht foltorja”, deklaroi Noka, i cili iu përgjigj kryeministrit për buxhetin për pensionet etj.

Pas tij dhe Bardhi kërkoi pushim deri sa të pastrohej vendi.

“Kërkoj 2 minuta pushim, të pastrohet foltorja se nga nervat e ka bërë pis”, tha Bardhi. bw

Berisha me shqiptarët në Londër: Ju keni mision të luani një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme në fitoren e opozitës

Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë në një bashkëbisedim live me shqiptarë dhe aktivistë të diasporës në Londër.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Floriana Garo, anëtare e kryesisë së PD, Alfred Lela, drejtor i komunikimit në PD si edhe Besart Xhaferri, kryetar i FRPD.

Ky takim shërbeu si një dëshmi e angazhimit të opozitës dhe mbështetjes së saj të fuqishme për shqiptarët kudo nëpër botë. Qytetarë të të gjitha moshave mirëpritën liderin opozitar, Sali Berisha i cili dha një mesazh të fuqishëm mbi sfidat aktuale dhe vizionin e tij për një Shqipëri më të drejtë dhe demokratike.

Entuziazmi i vazhdueshëm dhe thirrjet e mbështetësve reflektonin besimin në udhëheqjen e tij dhe dëshirën për ndryshim.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PD, Berisha bëri thirrje të fuqishme drejtuar shqiptarëve, veçanërisht atyre që jetojnë jashtë vendit, për t’u angazhuar në zgjedhjet e ardhshme me qëllim që të mbështesin opozitën dhe të punojnë për ndryshimin e regjimit aktual, të cilësuar si një “narkoshtet”.

 

Berisha e cilësoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama, si një diktaturë që shkel të drejtat demokratike dhe përdor taktika të frikësimit dhe korrupsionit për të ruajtur pushtetin.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se Shqipëria ka më shumë të burgosur politikë sesa vende të njohura për represion si Bjellorusia dhe Rusia, duke vënë në dukje se edhe liderë të partive opozitare janë arrestuar për shkak të qëndrimeve të tyre kundërshtuese. Akuzat përfshijnë përpjekjet e qeverisë për të dobësuar opozitën, duke përdorur mjetet e shtetit për të shtypur çdo kundërshtim.

Sipas Berishës, një pjesë e rëndësishme e këtij mesazhi është përkushtimi për të sensibilizuar dhe mobilizuar diasporën shqiptare. Statistikat e përmendura flasin për një numër të madh emigrantësh shqiptarë, rreth 1.9 milionë të larguar nga vendi, me një thirrje të drejtpërdrejtë që ata të votojnë dhe të kontribuojnë për “shpëtimin e Shqipërisë”. Ky veprim përshkruhet si një betejë për të ruajtur votën e lirë dhe për të sfiduar regjimin aktual.

Gjithashtu, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe varfërinë, që vjen si rezultat i keqmenaxhimit dhe korrupsionit, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e fondeve të vendit për qëllime të dyshimta dhe duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e ndërtimeve të larta të njohura si “kulla të drogës”. Në të njëjtën kohë, Berisha ritheksoi rritjen e varfërisë dhe përkeqësimin e kushteve të jetesës për shumicën e popullsisë.

Berisha gjatë takimit të mbajtur me shqiptarët në Londër akuzoi për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj saj, duke e krahasuar Ramën me figura të tjera rajonale që shihen si kundërshtarë të interesave të Kosovës. Këto veprime, sipas Berishës dëshmojnë për një qëndrim të rrezikshëm dhe të papranueshëm ndaj interesave kombëtare.

Fjala e kryetarit të PD për shqiptarët u mbyll me një apel për veprim dhe me falënderime të sinqerta për mbështetësit e opozitës, duke i motivuar ata të qëndrojnë të angazhuar dhe të luftojnë për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Berisha në takimin me shqiptarët në Londër tha:

“Ju keni mision të luani një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme, në fitoren e opozitës arkivimit të narkoshtetit. E një shteti që nuk njeh asnjë parim përveç vjedhjes dhe frikësimit të shqiptarëve.

Kjo është një diktaturë, miqtë e mi, është vendi me të burgosur politikë më shumë se Bjellorusia dhe Rusia. Në Shqipëri lider të partive kryesore opozitare janë të arrestuar.

Ne, të gjithë sëbashku do t’i japim Edi Ramës përgjigjen që meriton. Ky është një armik i egër i kombit dhe unë ju them ju, se në histori asnjë pushtues, asnjë diktaturë nuk ka dëbuar nga Shqipëria shqiptarët se sa regjimi i Edi Ramës. Me program, me qëllim, vetëm e vetëm që të mbeten sa më pak kundërshtarë të tij në Shqipëri.

Vetëm në hapësirën e Shengenit para një muaji u njoftua se kanë ikur para një muaji 1.9 milionë shqiptarë.

Duhet t’i gjejmë kudo që janë të votojnë për vendin e tyre, për shpëtimin e Shqipërisë.

Betejë me votën e lirë të shqiptarëve kudo që janë.

Edi Rama do vijë në Londër, me vëzë dhe domate. Edi Rama është bërë për Kosovën, një armik po kaq i egër sa Vuçiç, është bërë vëlla me Vuçiçin, argat i Vuçiçit. Ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, i pari që vendosi sanksione ndaj Kosovës. A mund të imagjinoni ju, u përpoq të rrëzojë qeverinë e Kosovës.

Sot, është trefishuar mjerimi, varfëria e skajshme, sepse paratë grabiten dhe plaçkiten.” bw

Fitorja e Trumpit- Salianji letër nga qelia me mesazhin e Presidentit të zgjedhur: Lufto-Fito!

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka shkruar nga qelia një letër në lidhje me fitoren e Donald Trump si president i SHBA-ve. Sipas Salianjit, Trump nuk mundi thjesht një kundërshtare të partisë tjetër, por fitoi mbi superstrukturën që po konsolidohej në demokracinë më të fuqishme të botës.

 

Ervin Salianji citon mesazhin e Donald Trump, i cili ka thënë Lufto, lufto, lufto-Fito, fito, fito.

“Nuk ka dyshim se me vendimet, me aktet, me dekretet që do të ndërmarrë, Presidenti i 47 do të përcaktojë një kurs të ri në botë. Ama, fushata, dhe ajo çfarë vendosi qytetari amerikan, përkundër gjithë atmosferës propoganduese që ishte krijuar, përkundër gjithë imponimit me industritë më të forta të opinionit, e ka përmbysur jo pak gjendjen dhe ka krijuar një rend të ri. Një rend që nuk ka dyshim se do të rrezatojë dhe do të ndikojë dhe në vende të tjera”, shkruan ne leter ish deputeti demokrat.

Në fund të letrës, Ervin Salianji shkruan se ne nuk kemi nevojë ta bëjmë Shqipërinë të madhe dhe një herë, por ‘na duhet vetëm ta bëjmë vend normal, ta ruajmë, ta shpëtojmë nga autokrati malinj dhe ta heqim nga kthetrat e krimit’!

Letra e Ervin Salianjit

Letër nga qelia 6

Lufto, lufto, lufto – Fito, fito, fito

Edhe pse po bëhen ditë nga votimi dhe publikimi i rezultatit duket sikur Donald Trump i fiton zgjedhjet sërish çdo orë që kalon. Kjo jo vetëm prej legjitimitetit të madh që ka korrur, prej diferencës së thellë, po dhe prej emërimeve! Triumfi i tij ishte i jashtëzakonshëm kur përballë kishte një kandidate energjike, më të re, të mbështetur masivisht dhe me një fushatë të energjizuar me grumbullim fondesh  si asnjëherë dhe me mbështetje masive të një konglomerati elitash e vipash vanitozë, strukture propagande të mirëoganizuar influencimi me lobingje e sondazhe, çka  e rriste orientimin  e publikut ndaj saj.

Trump nuk mundi thjesht një kundërshtare të partisë tjetër, por fitoi mbi superstrukturën që po konsolidohej në demokracinë më të fuqishme të botës.

E kotë ta them se sa simpati ka krijuar Presidenti i zgjedhur në Shqipëri. Në burgun e Fierit nuk kemi shumë mundësi të ndjekim shtypin, gazetat dhe revistat e mëdha të botës që me siguri i kanë bërë analizat e duhura asaj çfarë ndodhi.

Megjithatë, besoj të gjithëve por dhe mua këtu më ka mbetur, mesazhi kryesor i Trump; LUFTO, LUFTO, LUFTO – FITO, FITO, FITO!

Nuk ka dyshim se me vendimet, me aktet, me dekretet që do të ndërmarrë, Presidenti i 47 do të përcaktojë një kurs të ri në botë. Ama, fushata, dhe ajo çfarë vendosi qytetari amerikan, përkundër gjithë atmosferës propoganduese që ishte krijuar, përkundër gjithë imponimit me industritë më të forta të opinionit, e ka përmbysur jo pak gjendjen dhe ka krijuar një rend të ri. Një rend që nuk ka dyshim se do të rrezatojë dhe do të ndikojë dhe në vende të tjera.

Sidomos aty ku demokracia, liritë dhe të drejtat bazike po vihen në dyshim nga qeveri e udhëheqës autoritaristë,

Ka ngjashmëri të realiteteve politike e zgjedhore të SHBA me ne këtu.

Njësoj edhe në Tiranë, industria e propagandës dhe e manipulimit të realitetit, e ndikimit në opinion përmes mediave e sondazheve, tenton të paracaktojë rezultatet dhe ka një axhendë armiqësore, agresive ndaj opozitës.

Njësoj, përndjekje gjyqësore ndaj kundërshtarit.

Goditje dhe tentative për asgjesim me mjete ekstrapolitike.

Kuptohet, veçantia jonë është ndoshta unike në botë, sepse Opozitës këtu i duhet të përballet pos të gjitha këtyre, edhe me bandat dhe me krimin e organizuar që janë aleati i vyer i qeverisë.

Ngadhënjimi i Trump tregoi se asgjë nuk është e pamundur.

Dhe është kaq e thjeshtë në fakt, ai e ka thënë me një fjali; Lufto, lufto, lufto – Fito, fito, fito.

Padyshim se lufta me rilindjen dhe gjithë konglomeratin e saj nuk është e lehtë dhe ka kosto.

Unë tani nuk jam aty ku duhet të jem, por i izoluar në një qeli të ngushtë dhe shkruaj këtë letër në një fletore që më pas e merr avokati im dhe bëhet publike, për shkak se lufta ime mërziti kryeministrin, prishi qetësinë e tij,  dëmtoi karrierën e Ministrit të Brendshëm dhe i prishi terezine grupeve të krimit të organizuar!

Pra kaq mjafton që të jesh në burg, jo vetëm pa prova, por me prova të falsifikuara dhe manipuluara, pa proces juridik të rregullt, pa kryer veprën për të cilën akuzohem. Thjesht e vetëm se denoncova faktin se vëllai i Ministrit të Brendshëm, ishte i denuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge dhe vijonte aktivitetin i lirë në Shqipëri me mbrojtjen e qeverisë!

Kjo nuk duhet të shkurajojë askend. Jam i bindur që nëse secili aty ku është, në rolin, në vendin e tij, në jetën e tij; lufton, lufton, lufton, ne do ja dalim. Edi Rama nuk na burgos dot të gjithëve. Ai është në të vërtetë një frikacak që duke e ditur mirë fundin që e pret, tenton të shesë si trimëri dënimin e kundërshtarit dhe shfaq gëzim malinj për këdo që burgos.

Ne e kemi edhe më të thjeshtë. Nuk kemi nevojë ta bëjmë Shqipërinë të madhe dhe një herë. Na duhet vetëm ta bëjmë vend normal, ta ruajmë, ta shpëtojmë nga autokrati malinj dhe ta heqim nga kthetrat e krimit!  Panorama

Tiranë, kongresi studentor: papunësia dhe emigracioni janë pengesa kryesore

Kongresi studentor në Tiranë

 

VOA

Organizata rinore të studentëve nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni po zhvillojnë në Tiranë një kongres, për të diskutuar problemet dhe sfidat, që ata ndeshin aktualisht. Përfaqësues të këtyre organizatave pohuan për Zërin e Amerikës se papunësia, emigracioni dhe shkollimi i dobët janë pengesa kryesore në jetën e tyre.

Kongresi studentor i organizatave nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni diskutoi mbi sfidat e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, ku sipas folësve kryesorë mbizotërojnë emigrimi për shkak të papunësisë.

Organizata Qëndresa Qytetare, vlerësoi se administrata shtetërore dhe universitetet e Shqipërisë, për shkak të menaxhimit klientelist e pa meritokraci të tyre, nuk arrijnë që të përgatitin të rinj me aftësi të larta profesionale sipas kërkesave të tregut.

Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Migen Qiraxhi thotë për Zërin e Amerikës se largimin e të rinjve po e ndjejnë të gjithë sektorët e jetës publike dhe private në Shqipëri, ndaj qeveria nevojitet të ndërmarrë politikat e duhura për të frenuar largimin e të rinjve dhe angazhimin profesional të tyre brenda vendit të tyre.

“Fatkeqësia në vendin tonë është se duket që qeverisësit nuk e konsiderojnë problem largimin e qytetarëve dhe të rinjve nga vendi, duke e justifikuar me lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është e nevojshme dhe e domosdoshme, por ne vlerësojmë që krijimi i kushteve dhe mundësive në vendin tonë, që qytetarët ta konsiderojnë si shtëpi të sigurtë, me arsim dhe kujdes shëndetësor, do t’u jepte mundësi gjithë qytetarëve që të mos e brakstisin. Unë mendoj që askush nuk e ka luksin që të ndahet nga familja, nga prona, nga kombi, por e gjithë kjo po ndodh me një tension shumë të madh social, i cili i bie vendit si barrë, një dramë që po e përjetojmë çdo ditë”, tha zoti Qiraxhi.

Nga ana tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka 8 vite që punon për integritetin akademik dhe kundër plagjiaturave në universitetet publike të Kosovës, si dhe aktivizmin studentor.

Dibran Hoxha, përfaqësues i organizatës, thotë për Zërin e Amerikës së Kosova përballet me migrim të rinisë, çka duket në uljen e numrit të studentëve atje, si dhe me një mosinteresim të studentëve për tu angazhuar në zgjidhjen e shqetësimeve kryesore, siç është cilësia e ulët e studimeve në universitete si dhe qasja e dobët me tregun e punës.

“Universitetet tona publike dhe kolegjet private pranojnë një numër të madh të studentëve pa patur një lloj strategjie as edhe kombëtare se si do të qasen këta të rinj në tregun e punës. Kjo bie si barrë në kurrizin e studentëve, të cilët shpenzojnë shumë mjete financiare për të kryer studimet e tyre. Në masë të madhe, sidomos studentët në kolegjet private nuk marrin studimet aq cilësore, dhe në fund pas diplomimit mbeten pa u qasur në tregun e punës. Kjo është sfida më e madhe me të cilën përballen studentë e të rinj në Kosovë”, tha zoti Hoxha.

Papunësia në Shqipëri dhe në Kosovë është më e lartë në radhët e të rinjve, ndërsa studimet kanë vërejtur mungesë të vendeve të lira të punës nga një anë si dhe vështirësi për t’u punësuar në ato profesione, për të cilat janë kualifikuar të rinjtë.

Në këtë takim të organizatave rinore të rajonit u theksua se universitetet nuk arrijnë ta bëjnë sa më efektive nga ana profesionale kohën që të rinjtë e të rejat shpenzojnë në auditoret akademike, sepse këto nuk adresjojnë kërkesat e kohës, ndaj të rinjtë lënë vendin e tyre dhe studiojnë e integrohën në vende të tjera.

SMS-të e Berberit për Benet Becin: 500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë për ne me dy klasë shkollë

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për ish kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, kanë zënë në grackë edhe kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci për implikim në afera gjatë kohës që mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të KESH.

Gjatë hetimeve për Berberin, prokurorët e SPAK mes të tjerash kanë sekuestruar edhe telefonin e bashkëshortes së tij A. Ruko.

Por ndonëse ishin nisur për të gjetur prova të mëtejshme në ngarkim të Berberit, në telefonin e zonjës Ruko, prokurorët kanë gjetur dhe disa komunikime mes ish kreut të rrugëve dhe ish drejtorit të KESH. Njëri prej tyre, më flagranti lidhet me një tender me vlerë 832 mijë euro të zhvilluar nga KESH për kontraktimin e një studimi për strategjinë e sektorit energjetik. Bashkëshortja e zotit Berberi ishte caktuar kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të tenderit.

Studimi, i cili do të kryhej në bashkëpunim me profesorë të Harvardit duket se kishte para për të ndarë edhe për dy ish zyrtarët, të cilët donin jo pak por mbi 40 për qind të fondit. Në një nga SMS-të e gjetura nga prokurorët e SPAK, duke ju referuar tenderit për studimin, Evis Berberi i shkruan Benet Becit: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.”

Por SMS-ja kompromentuese e Berberit për Becin nuk është prova e vetme. Më vonë ka rezultuar se prokurimi është kryer pikërisht ashtu.

Tenderi
Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH në 13 janar të vitit 2020 me fond limit të paracaktuar prej 69.5 milionë lekësh ose 695 mijë euro pa tatim mbi vlerën e shtuar. Bashkë me TVSH-në vlera e fondit limit ishte 834 mijë euro.

Në garë pati vetëm një ofertë, që ishte ajo e kompanisë Consulting & Management Albania SHPK në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari, e cila ofroi ta kryente shërbimin me vlerën 69.35 milionë lekë pa tvsh ose sa 99.8 për qind e fondit limit.

Një ditë pas tenderit, KESH shpalli fituese pikërisht kompaninë e Ervis Myftarit, e cila me sa duket ishte instrumenti që do të ndante paratë sipas formulës 500 mijë për profesorët dhe 330 mijë për ata me dy klasë shkollë.

Image

Consulting & Management Albania është një kompani konsulence, e cila merr tendera publikë kryesisht në Albcontrol si dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Kjo kompani nuk kishte asnjë eksperiencë për studime energjetike dhe tenderi i vetëm që ka marrë në KESH është pikërisht ai për Zhvillimin e Strategjisë së Sektorit Energjetik.

Pronari i kësaj kompanie, zoti Myftari aktualisht zotëron dhe 8 kompani të tjera, të cilat janë të gjitha me status të pezulluar.

KLSH kapi korrupsionin me tenderin

Në vitin 2022, audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit mbërritën në zyrat e KESH për të audituar kompaninë. Mes gjetjeve që audituesit konstatuan në KESH ishte dhe ajo e tenderit 834 mijë euro për Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik.

Në raportin e auditimit, inspektorët e KLSH shkruajnë se tenderi ka një sërë parregullsish serioze, pasi së pari nuk ishte detyrë e KESH të bënte strategjinë e sektorit energjetik të vendit dhe së dyti, Shqipëria e kishte sakaq strategjinë e sektorit, e cila ishte kryer nga ministria e Energjisë në bashkëpunim me donatorët. Për më tepër, audituesit e KLSH konstatojnë se studimi i kryer nga kompania CMA dhe profesorët e Harvardit kishte vetëm informacione publike, lehtësisht të aksesueshme.

Image

Gjetjet e KLSH per tenderin 834 mije euro

“Të gjitha kërkesat e parashtruara nga ana e Grupit të Punës si detyrë për Konsulentin ose janë informacione të cilat kanë qenë lehtësisht të aksesueshme pa qenë nevoja për prokurimin e marrjes së tyre ose kanë qenë të saktësuara në VKM nr. 480 datë 31.07.2018 ‘Për miratimin e strategjisë kombëtare të energjisë për periudhën 2018–2030’,” thuhet në raportin e auditimit.

KLSH e ka klasifikuar procedurën si një punë të sajuar thjesht për të shpenzuar para dhe gjithë shpenzimin si dëm të pastër ekonomik.
“Rezulton se vlera prej 83,220,000 lekë me TVSH përbën përdorim pa efektivitet eficiencë dhe ekonomicitet për fondet e shoqërisë,” thuhet në raportin e KLSH. sn

Panik para Bashkisë së Tiranës, polici humb ndjenjat gjatë protestës së opozitës, qytetarët i vijnë në ndihmë

Ndërkohë që po mbahej protesta e opozitës para Bashkisë Tiranë, një nga efektivët është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat.

Në momentin që polici është ndjerë keq ka qenë drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi ai që po mbante fjalën.

Ai ka kërkuar ndihmën e një ambulance ndërsa ka udhëzuar protestuesit e tjerë të të mos i qendrojnë mbi kokë e t’i lënë hapësirë të marrë frymë.

“Jepini ujë të lutem”, dëgjohet të thotë Këlliçi. bw

Reforma- Diskutohet shtyrja e moshës për pensionin social përtej moshës 70 vjeçare! Çfarë parashikon ndryshimi i ligjit të sigurimeve

Qeveria është përfshirë në diskutime që synojnë ndryshime në kriteret e skemës publike të pensioneve, një nga të cilat është shtyrja e kufirit të moshës për përfitimin e pensionit social.

 

Aktualisht personat që nuk plotësojnë kriteret përfitojnë në moshën 70 vjeç pension social, i cili ka arritur mbi 9 mijë lekë në muaj, por ndryshimet e fundit synojnë që pagesa të jepet përtej 70 vjeç.

Burimet nga grupi që po negocion ndryshimet në ligjin e sigurimeve pohuan se kjo masë synon të nxisë më tej pagesën e sigurimeve në personat në moshë pune.

Në vitin 2023 gati 40 për qind e personave që u deklaruan në punë nga Anketa e Forcës së Punës së INSTAT nuk paguajnë sigurime. Shumica janë të vetëpunësuar në biznesin e familjes pa pagë. Kjo kategori e cila merr të ardhura nga puna dhe nuk paguan sigurime është një kontingjent që nuk plotëson kushtet për pension në pleqëri.

Aktualisht burrat dalin në pension 65 vjeç dhe gratë rreth 62 vjeç, ndërsa personat që nuk plotësojnë kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme kur bëjnë 70 vjeç përfitojnë pension social.

Në vitin 2023 skema publike e pensioneve shpenzoi 188 milionë lekë për pagesën e pensioneve sociale, e cila u përfitua nga rreth 2300 persona.

Ekspertë të sigurimeve pohojnë se numri i personave që do të përfitojnë pension social do të rritet ndjeshëm në vitet në vijim pasi po del në pension brezi i tranzicionit që nuk ka kontribuar në skemë për shkak të papunësisë ose punës në të zezë.

Ideja për të shtyrë moshën e përfitimit të pensionit social përtej 70 vjeç me gjasë 75 vjeç do të bëjë jo efektive këtë politike pasi jetëgjatësia e burrave aktualisht është rreth 76 vjeç. Koha e gëzimit të pensionit social do të jetë shumë e ulët si për burrat dhe për gratë.

Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të pleqërisë kur kanë jo më pak se 15 vjet periudha sigurimi dhe jo më shumë se 38 vjet periudha sigurimi dhe të jenë tërhequr nga veprimtaria ekonomike.

Për arsye se nuk plotësojnë kriteret për pension të plotë më shumë se gjysma e pensionistëve marrin pension të pjesshëm. Pensionistët me pagesa të pjesshme lehtësojnë skemën publike të pensioneve nga rritja e shpenzimeve, por nga ana tjetër po krijohet një problem i madh social me qëndrueshmërinë financiare të moshës së tretë.

Problematikat e tranzicionit dhe informaliteti i lartë në tregun e punës po bën që pensionet e reja të dalin në vlera më të ulëta, vit pas viti./Monitor

Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin e Princ Lekës me 1.6 vite burg. Nuk shpëton as Elia Zaharia dhe babai i saj

Më 25 mars të këtij viti, Princ Leka, ish-bashkëshortja Elia Zaharia dhe babai i saj Gjergj Zaharia u përfshinë në një konflikt të dhunshëm në Oborrin Mbretëror. Palët bënë kallëzime për njëri-tjetrin.

Sot Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën për episodin që u bë viral pasi Princ Leka kishte filmuar përplasjen me Elian dhe ish-vjehrrin e tij.

BalkanWeb mëson se organi i akuzës kërkon dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Princ Lekën.

Prokuroria nuk ka kursyer Elia Zaharinë e cila dënohet me 6 muaj burg dhe 1 vit për babanë e saj. Gjithashtu, Prokuroria kërkon që dënimi t’iu konvertohet në shërbim prove, nëse të tre shpallen fajtor nga Gjykata.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës do të jepet në datën 13 dhjetor nga gjyqtarja Migena Laska.

Të tre akuzohen për veprën penale “dhunë në familje”. Princ Leka, Elia Zaharia dhe Gjergj Zaharia janë gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Nis sot Panairi i Librit 2024: Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, njërës prej ngjarjeve madhore të librit në Shqipëri.
Panairi, i cili nis sot, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, do të zhvillohet në hapësirat e Pallatit të Kongreseve. Motoja e panairit të këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.
Nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kjo festë e librit që çelet nesër, do të vijojë deri më 17 nëntor, për t’u dhënë mundësi lexuesve të njihen me plot botime të reja.
Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare, etj.
Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.
Panairi do të finalizohet me ndarjen e çmimeve letrare. Nacional

Drejt dështimit- Pas largimit të emigrantëve, nga kampi i Gjadrit largohen edhe policët italianë

Forcat e policisë italiane të pranishme në ambientet e kampeve të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës mësohet se janë përfshirë në një proces ndryshimi.

Sipas “La Repubblica”, nga 220 njësitë aktuale, numri do të shkojë në 170 persona për të garantuar menaxhimin e turneve dhe mbuluar shërbimet e nevojshme.

Ky mund të konsiderohet si një reduktim i ndjeshëm i kontigjentit të pranishëm në Shqipëri, i cili kur ishte plotësisht operacional dhe supozohej të ishte 295 njësi (personel), por në vend të kësaj nuk i kaloi kurrë 220 persona, duke përfshirë policë, karabinierë, financierë dhe policë të burgjeve.

Image

Duket se Roma zyrtare po has vështirësi për marrëveshjen për emigrantët, në lidhje me dërgimin e tyre në qendrën e pritjes dhe më tej, të izolimit në Shëngjin dhe Gjadër.

Të dy grupet që u dërguan në muajt tetor dhe nëntor u rikthyen pas vendimeve të Gjykatës italiane dhe problemeve me paditë e hapura deri në gjykatat europiane. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjithsesi shprehet e vendosur t’i shkojë deri në fund paktit qeveritar me kryeministrin Edi Rama.

Po ashtu mediat italiane shkruajnë se për qeverinë Meloni mënyra sesi po shkojnë procedurat dhe përplasja me drejtësinë për listën e vendeve të sigurta, është ‘më mirë’ që të përmbyllet me një përplasje midis Romës dhe Brukselit. Reagimi i parë i qeverisë Meloni pas rastit të fundit të emigrantëve që u dërguan në Shqipëri dhe që “u detyruan” nga një vendim gjykate të kthehen në Itali, ishte i menjëhershëm teksa u shprhën të bindur se gjykatësit janë gabim. sn

“Pensionet të ulëta në mbi 30 vjet”- Ekspertja: Arsyeja kryesore nuk është informaliteti, por korrupsioni dhe emigracioni

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj, e ftuar në emisionin Open në News 24 deklaroi se pensionet janë të ulëta në mbi 30 vjet demokraci.

Nunaj tha se arsyeja kryesore se përse pensionet janë të ulëta nuk është informaliteti. Ajo tha se arsyeja kryesore se përse pensionet janë të ulëta është korrupsioni i lartë dhe emigracioni. Sa i përket informalitetit, Nunaj deklaroi se ky është një problem, që duhet ta zgjidhte vetë shteti.

Teuta Nunaj: Pensionet janë të ulëta në mbi 30 vjet. Edhe biznesi duhet të jetë i zëshëm. Informaliteti është prezent, por e thënë nga një drejtues shteti është paksa absurde, sepse është shteti që duhet të ulë informalitetin.

Informaliteti është arsye dytësore për mendimin tim. Arsyeja kryesore janë korrupsioni, keqmenaxhimi i fondeve. Një tjetër arsye është edhe emigracioni. bw

Kush është ‘Olsi’ që SPAK-u s’po e gjen dot? Si u favorizua kunati i Altin Hajrit për të dalë nga burgu kur u kap me armë

Arrestimi në Tiranë në muajin Janar 2021 i Julian Gjoshit, kunatit të Altin Hajrit, i shpallur në kërkim për vrasjen e Jan Prengës në ambientet e kompleksit ‘Golden’ në Shijak, ka mobilizuar Hajrin që të kërkojë ndihmë tek zyrtari i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.

Mes Çyrbes dhe Altin Hajrit, ka një mori bisedash në aplikacionin ‘Sky’, ku Hajri kërkon që Çyrbja ta ndihmojë me qëllim lirimin e kunatit, pasi siç i shkruan ai në ‘Sky’, ‘…e mytën kalamajt, daja…’.

Në mesazhet e dërguara del dhe ndihma që ka dhënë një personazh i quajtur ‘Ols’, i cili dyshohet se është funksionar i Drejtësisë, mik i Jurgis Çyrbes, por pa dalë se kush është konkretisht.

Julian Gjoshi, ishte arrestuar në mbrëmjen e 18 Janarit 2021 për akuzën e ‘Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve’, si dhe ‘Drejtim mjetit në gjendje të dehur’. Bashkë me të ishte në makinë dhe një person tjetër, i quajtur Edvin Barçi i thirrur me nofkën ‘Boli’.

Më poshtë është fotoja e pistoletës ‘Bereta’ që policia e sekuestroi në makinën e Julian Gjoshit mbrëmjen e 18 janarit në Tiranë. Julian Gjoshi qëndroi vetëm 11 muaj në paraburgim dhe më pas doli në 23 dhjetor 2021, vetëm 7 ditë para Vitit të Ri.

Por teksa Gjoshi, mbahej i arrestuar në ambientet e Policisë së Tiranës dhe pritej të dilte para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë, kunati i tij bisedon në aplikacionin ‘Sky’ duke e njoftuar për arrestimin e kunatit.

Altin Hajri i shkruan në ‘Sky’ Jurgis Çyrbes si më poshtë vijon:

 ‘…kan kap kunotin tim me pistoletë… Mos bëjmë naj gjë. Është kunati me gjith atë ‘bolin’ që rrin aty ke unë. Paktën ta maj një dali nji, shif naj ‘arrest shpia’. Sa lek dun veç ta qisim. Me fol direkt, se dun kap tani. Se mos bëjnë provën. Japim 10 mijë euro veç të na e prishi atë mrrokllën (Pistoletën)…’.

Më tej Altin Hajri, vijon t’i shkruajë Jurgis Çyrbes duke i thënë:

‘…se arma qeka veç për gishtat…se po se marove ti s’kam kujt me i thën, me veç prish gjëlponën. Kërkoje vëlla, sa lek të dojn veç du t’ja maroj se më mytën kalamajt daja…. Jepi 20 mijë euro sa dojn ai, veç ta mbarojë…. Më 21 del në gjyq. Faleminderit dhe prej teje, të fala bëj Mikut tat Olsit…’.

Personazhi ‘Ols’, duket se ka luajtur një rol të veçantë për lehtësimin e pozitës juridike dhe masës së sigurisë për të arrestuarin Julian Gjoshi. Kjo pasi në 21 janar 2021, ashtu siç shkruan Hajri në ‘Sky’, Julian Gjoshi ka dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.

Gazetari Elton Qyno, shkruan se gjykata e Tiranës ka marrë në 21 janar 2021, ku gjyqtari A.B me kërkesë të prokurorit të Tiranës, H. M, ka caktuar për Julian Gjoshin ‘arrest me burg’ me afat 21 ditë.

Prokurori H. M, megjithëse ishte koshient se arma ishte luftarake dhe pa leje, ndryshoi qëndrim gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore për Julian Gjoshin, ku nga qëndrimi fillestar ‘arrest në burg’ pa afat që kërkoi para gjyqtarit A.M, ndryshoi në një qëndrim të dytë në ‘arrest në burg’ me afat 21 ditë.

Ky ndryshim qëndrimesh, për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Julian Gjoshi, u argumentua nga prokurori me arsyen deri në daljen e rezultatit të aktit të ekspertimit balistik të pistoletës së sekuestruar nga policia.

Nisur nga kjo situatë gjyqtari i Tiranës A.M, ka pranuar kërkesën e prokurorit të çështjes, duke caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ me afat 21 ditë, për kunatin e Altin Hajrit, Julian Gjoshi.

Në komunikimet në vijim në aplikacionin ‘Sky’, Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes që të falënderojë personat që e ndihmuan për mbylljen e problemit të kunatit të tij, Julian Gjoshi, moment gjatë të cilit i ka kërkuar që ta ndihmonte lidhur me problemin që kishte me organet ligj zbatuese.

Altin Hajri i shkruan Jurgis Çyrbes sikur të ishte një rrobaqepës jo si një person në kërkim nga policia, ku pasi e falënderon për ndihmën e madhe që i ka dhënë për kunatin e arrestuar, kërkon nga Çyrbja masat trupore për një person, mikun e tij të quajtur ‘Ols’, i cili sipas bisedës ka dhënë një ndihmë të çmuar në zgjidhjen e këtij rasti të arrestimit të kunatit me armë pa lejë.

‘…Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…’-i shkruan Jurgis Çyrbes, personi në kërkim Altin Hajri.

Ndër të tjera personi në kërkim Hajri i shkruan, Jurgis Çyrbjas, si më poshtë vijon:

‘…ma kanë dhonë fjalën, veç po presin një letër porosi dhe jam ‘ok’ vëlla. Ka mundësi ai se është burri mirë ky tani, që është Ministër vlla. E ka shum shok me than shife vet aman, se më prishin shumë punë, se po i rregulloj ishalla këtë muaj që vjen. Dhe Ols, e ka bo punën e vet vëlla, thuaj faleminderit shum thuj…. Mos harro se e ka bo punën e vet se i kishte thonë avokatit, është porosia shefit. Për Ols vëlla, plus ka qën ke avokati vet 2 herë, e ka bo punën e vetë. A kupton ça po të them. Për atë mikun tat që pate shku ti po të them takoje, thuj falemindërit dhe më bjerë masat t’i boj nja dy kustume që t’ja çosh. Po për zotin është porosia shefit, kishte thënë avokati i kishte thon dum avokat po për zotin e mall e ka bë të vetën. Më tha avokati, e ka bo si burrat ai tha se ai nuk përzihet tha, se avokati e ka robin e vet ai, rrofsh vëlla. Shif aman të bojnë ca ndryshime këtu ke lagja dhe ja dy vene tjera që ti marim 100 për 100. Ok shum mirë ke bë, meri masat me stil t’ja mar, ja dy Kustume…’.

Por në datën 2 shkurt 2021, përmes aktit balistik Nr. 1159 të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore, është konkluduar se arma pistoletë që ju kap të arrestuarit Julian Gjoshi, ishte në gjëndje teknike e rregullt dhe kryente qitje normale.

Dhjetë fishekët e sekuestruar hyjnë në kategorinë e plumbave standard luftarak të kalibrit 9 mm. Ndërkohë gëzhojat e regjistruara në sistemin ‘Arsenal’, ka rezultuar se nuk u identifikuan të qitura nga pistoleta e sekuestruar tip ‘Berata’ me numër serial Pj12535.

Nisur nga ky konkluzion shkencor, sërish prokurori i Tiranës H.M, në datën 9 shkurt 2021 ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ për të arrestuarin Julian Gjoshi, kunatin e Altin Hajrit.

Ndërkohë që një ditë më pas në datën 10 shkurt, gjyqtari i Tiranës A.M, ka pranuar kërkesën e prokurorit duke lënë në burg Julian Gjoshin. Ky vendim në 19 Prill 2021 është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Nuk ka kaluar shumë kohë dhe në muajin qershor 2021 çështja hetimore  kundër Julian Gjoshit është dërguar në gjykatë për akuzën e ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve’ dhe ‘Drejtimit të mjetit në gjendje të dehur’.

Dosja është marrë në shqyrtim nga gjyqtarja Shefkie Demiraj. Julian Gjoshi ka hyrë në këtë proces me gjykim të shkurtuar dhe prokurori i Tiranës H.M, në pretencën e tij ka kërkuar para deklarimin fajtor dhe dënimin përfundimtar të Julian Gjoshit me 4 vjet burgim për dy akuzat e mësipërme.

Në 23 dhjetor 2021, gjyqtarja Shefkie Demiraj, vendosi të pranojë pretencën e prokurorit, duke dënuar me 4 vjet burg Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit.

Por në ndryshim nga prokurori, gjyqtarja Demiraj vendosi të aplikojë nenin 59 të Kodit Penal, duke urdhëruar pezullimin e vuajtjes së dënimit me burg, duke e liruar nga qelia Julian Gjoshin dhe vënë atë në shërbim prove me kushtin që gjatë një periudhe 3 vjeçare ai të mos kryejë asnjë vepër penale.

Por rezulton e provuar se këtë kusht të vendosur nga gjykata e Tiranës, Julian Gjoshi, nuk e ka respektuar pasi në 25 prill 23 është përfshirë në një aksident rrugor duke goditur me mjetin e tij ‘Land Rover’, shtetasen Stejsi Çela. Kjo çështje tashmë është pushuar nga prokuroria e Tiranës. sn

Koeficientët e rinj, si do të ndikojnë te skema për përllogaritjen e pensionit! Rritet masa e përfitimit për mijëra të moshuar (Formula)

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë pagat e reja për efekt të llogaritjes së pensioneve për qytetarët që dalin rishtaz në pension.

 

Aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 13.5 për qind, ndryshe nga një vit më parë, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. Për dy vitet e fundit, pra për 2023 dhe 2024, nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë, pra të paindeksuara. Vendimi është marrë në mes të vitit dhe ka marrë miratim edhe në Këshillin e Ministrave. Çdo vit, afro 20 mijë qytetarë që dalin në pension përfitojnë nga aktualizimi i pagave me qëllim rritjen e masës së përfitimit.

“Ky projektvendim do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim. Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, – bën me dije ISSH.

KUSH PERFITON

Ashtu si çdo vit, krahas indeksimit të pensioneve, qeveria harton edhe koeficientët e rinj, mbi bazën e të cilëve llogaritet masa e pensionit për ata që sapo dalin në pension dhe jo për të gjithë pensionistët. Kjo sjell automatikisht ndryshim të formulës për llogaritjen e vlerës që përfitojnë të moshuarit. Kështu, bazuar në tabelën me koeficientet e rinj (sipas tabelës përbri shkrimit) një person që në vitin 1994 është trajtuar me një pagë prej 7 mijë lekësh, kjo shumë do të shumëzohet me koeficientin 10.799 dhe për llogaritjen e pensionit do të merret parasysh paga prej 75 mijë e 593 lekësh.

Zakonisht, për caktimin e masës së pensionit merret në konsideratë paga me të cilën janë paguar kontributet ndër vite, por për shkak se pagat gjatë kohës së ish-kooperativave bujqësore, por edhe në vitet në vijim kanë qenë të ulëta, qeveria cakton çdo vit koeficiente të rinj për të marrë një pension sa më real për periudhën që pensionistët jetojnë.

FORMULA

Për llogaritjen e pensionit përdoret formula:

PP (Pensioni i Pleqërisë) = PS (Pension Social)* (shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/ vjetërsi kontributive që kërkohet + 1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* BV (baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit.

Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994.

/Gazeta Panorama

Ben Andoni: Pse Rama do e ketë të vështirë ta mbyllë mandatin e tretë

Analisti Ben Andoni i ftuar në rubrikën opinion në News24 me Ola Brukon, duke skanuar situatën politike u shpreh se opozitës i duhen figura të reja për të synuar rikthimin në pushtet.

Ai tha se Berisha i zë frymën opozitës në shumë prej lëvizjeve dhe aksionit të saj, ndërsa nga ana tjetër shtoi se kryeministri Edi Rama vështirë se e mbyll mandatin e tretë, nisur nga problemet sipas tij që ka qeverisja.

Kjo që po bën opozita nuk është mosbindje civile, por protestë. Mosbindja civile ngrihet mbi simbolika dhe është e vazhdueshme. Kundërshtimi i një ligji që quhet i padrejtë normalisht i jep frymëmarrje demokracisë së një vendi. I gjithë publiku në këtë moment i ka sytë te PD sepse përfaqëson atë pjesë të shoqërisë që ngre zërin dhe artikulon zërin, në mendimin tim ka shumë momente që zoti Berisha i zë frymën në shumë momente. Qeverisja është jashtëzakonisht e lodhur. Kam qenë i logjikës që zoti Rama do e mbyllte me shumë vështirësi mandatin e tretë dhe sërish i përmbahem kësaj që ai do e ketë të vështirë ta mbyllë mandatin e tretë edhe pse janë edhe 5-6 muaj. Lidhur me problematikën e buxhetit, është momenti që PD përmes njerëzve të saj t’iu shpjegojë njerëzve dhe të bëjë luftë në Parlament ku të shpjegojë ku janë problematikat. 

Ka shumë probleme bujqësia, arsimi bën me turp PS-në dhe PD-në. E djathta, ka ardhur mometni që të marrë pushtetin në Shqipëri. Është gati. I vetmi moment për mua personalisht është se PD duhet të lërë frymë për njerëz, dritare të hapur. Thuhet se do ketë rishikim të non gratave, aq sa i njoh SHBA-të, nuk ka interes aq të madh për Shqipërinë. është më e njohur Kosova në SHBA, se sa Shqipëria. PD duhet të mendonte që njerëz si Muçollari duhet të kalojnë në skalionet e para, të mos bëjë atë që bëri me zotin Alimehmeti, do bënte një kthesë në Tiranë që ata nuk mund ta imagjinonin. Zonës gri PS i është hedhur me të dyja ganxhat, PD ka nevojë për figura të reja dhe Shqipëria ka plot nga këta njerëz”, u shpreh Andoni.

Sondazhet e Shtëpisë së Bardhë e nxirrnin Joe Biden humbës, ish-zyrtari i Obamës: Donald Trump dilte fitues me 400 vota elektorale

Presidenti i zgjedhur Trump ishte në rrugën e duhur për të fituar 400 vota elektorale në një garë kokë më kokë kundër Presidentit Biden, sipas sondazheve të brendshme të Shtëpisë së Bardhë.

 

Lajmi u zbulua nga Jon Favreau, ish shkruesi i fjalimeve të  Barack Obamës.

“Ne zbuluam se sondazhi i brendshëm i fushatës së Bidenit në kohën kur ata na thoshin se ai ishte kandidati më i fortë, tregoi se Donald Trump do të fitonte 400 vota elektorale,” tha Favreau.

“Vendimi i Joe Biden për të kandiduar sërish për president ishte një gabim katastrofik,” shtoi Favreau.

Favreau akuzoi Ekipin Biden se po “lëndonte” zëvendëspresidentin Harris dhe u tha gazetarëve në heshtje se ajo nuk mund të fitonte. Panorama

Tirana- E pesta më e shtrenjta në Evropë për të blerë apartament, pritet sërish rritje

Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën në pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për përballueshmërinë e blerjes së një prone.

Sipas të dhënave Numbeo-s për 2024, për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 15.3 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Lisbonën, një familjeje i nevojiten 19.5 vite për t’u bërë pronare e një prone.

Në indeksin e Numbeo-s, për 293 qytete në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti deri në mesin e vitit 2024 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane me apartamentet më të shtrenjta.

Krahasuar me një vit më parë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite. Ndërsa për vitin 2022, ishte 15.7 vite kurse në indeksin e vitit 2021, 16.2 vite.

Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Pas Milanos, Tirana vijon të mbetet për apartamentet më të shtrenjta në Europë.

Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos, renditej Tirana me 17.5 vite.

Në renditjen botërore për vitin 2024, Tirana renditet në vendin 64, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 15.2 vite, në Londër 14.9 vite, në Romë dhe Vjenë 14.2 vite, në Nju Jork, 13 vite, dhe Montreal të Kanadasë, 10.9 vite.

Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajeva, 13.6 vite.

Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Xiamen në Kinë përkatësisht me 48.1 vite.

Agjentët imobiliarë paralajmërojnë sërish shtrenjtim të çmimeve të apartamenteve

Ndërtuesit paralajmëruan më parë se rritja e kostove nga taksa e ndikimit në infrastrukturë do të shtrenjtojë sërish çmimet e apartamenteve.

Edhe njohësit e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë se shtimi i detyrimeve për taksat te ndërtuesit do të reflektohet te çmimet e shitjes.

“Nga muaji gusht 2023, me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës për Tiranën, u shtua automatikisht detyrimi i ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Rritja e kostove pritet të reflektohet në çmimet e shitjes së pronave”, pohon Ylli Sula, drejtuesi i indeksit “Key Data”.

Pas rënies në muajt e verës, kërkesa për blerje të pronave është rritur në muajt e vjeshtës. Por për agjentët imobiliarë, krahasuar me vjet, kërkesa është në rënie.

Stela Dhami pohon se kërkesa për blerje apartamentesh në Tiranë kryesohet nga shqiptarët e diasporës dhe të ardhurit nga rrethet.

“Shumë prej shtetasve shqiptarë në diasporë e më tej mbeten të interesuar për të pasur një apartament në Tiranë, si urë lidhëse midis tyre dhe vendlindjes.

Gjithashtu, te projektet në afërsi të universiteteve, shumë prindër nga rrethet mendojnë blerjen e apartamentit si një investim për fëmijët që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në metropol.

Ndërsa te zonat bregdetare, rritja e kërkesës u ndikua nga të huajt dhe shtetasit shqiptarë të diasporës, pasi çmimet e pronave ende vijojnë të jenë më të lira sesa ato në Malin e Zi dhe Kroaci”.

Të blesh një shtëpi apo ta marrësh me qira?

Raporti çmim/qira përdoret kudo në botë për të treguar nëse ia vlen të blesh një shtëpi, apo të jetosh në shtëpi me qira. Ai mat vlerën e një shtëpie, në krahasim me të ardhurat që mund të marrësh nga ajo.

P.sh., nëse është 15, kjo do të thotë se çmimet e shtëpisë janë sa 15 herë qiraja vjetore që do të fitohej nga këto shtëpi.

Raporti i çmimit ndaj qirasë është kostoja mesatare e pronësisë e pjesëtuar me të ardhurat e marra nga qiraja (nëse blihet me qira) ose qiraja e vlerësuar që do të paguhet nëse jepet me qira (nëse blihet për të banuar).

Vlerat më të ulëta sugjerojnë se është më mirë të blesh sesa të marrësh me qira, dhe vlerat më të larta tregojnë se është më mirë të marrësh me qira sesa të blesh.

Sipas të dhënave që jep “Numbeo”, deri në mesin e 2024, për Tiranën ky raport është 21,76 për zonat e qendrës, dhe 17,38 për zonat jashtë qendrës. Pra për zonat jashtë qendrës, raporti është brenda kufirit të blerjes së shtëpisë.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, të marrësh një shtëpi me qira është e leverdishme nëse ky raport është më i madh sesa 20, dhe ta blesh nëse kjo normë është më pak se 15.

Nëse norma është midis 15 dhe 20, atëherë ka më shumë kuptim që të blesh, në rast se blerësi synon të jetojë në shtëpi për një kohë të gjatë.

Për Shkupin, ky raport është 30,06 për zonat brenda qendrës dhe për zonat e banuara jashtë qendrës, 29,09; për Podgoricën është 18,7 për zonat e qendrës dhe jashtë qendrës, 19,01. Për Athinën është 23,6 për zonat e qendrës dhe 25 për zonat jashtë qendrës./ Monitor.


Send this to a friend