VOAL

VOAL

TENSIONET PARAZGJEDHORE, DEBATE NË KUVEND, FAJËSOHET QEVERIA

Në Shqipëri parlamenti u përfshi sot në debate mes shumicës dhe opozitës lidhur me disa incidente dhe ngjarje që kanë shoqëruar ditët e fundit situatën parazgjedhore.  E djathta bëri përgjegjëse qeverinë për incidentin e mbrëmshëm në Kolonjë gjatë një aktiviteti të kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ndërsa deklarimet e kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me stafin elektoral në Shkodër, ku ai përmendte drejtorë të administratës të angazhuar në fushatë, opozita i vlerësoi si përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve ditën e votimit. Zoti Rama u kundërpërgjigj duke hedhur poshtë akuzat

Tensionet parazgjedhore u transferuan sot në sallën e parlamentit duke zënë një kohë të gjatë në debate dhe replika. Ish kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjëse shumicën për incidentet e regjistruara ditët e fundit: “Këtu kemi të bëjmë me një proces themelor për vendin që janë zgjedhjet. Një proces i cili do përcaktojë shumë gjëra për cdo qytetarët shqiptarë. Një proces të cilin shumica e ka nisur me akte kriminale si në Durrës, dhe përsërit rastin tjetër dje në Kolonjë ndaj kryetarit të opozitës”, deklaroi zoti Berisha

Në Kolonjë gjatë një aktiviteti të kryetarit demokrat Lulzim Basha, i cili do prezantonte kandidatin e opozitën për kryetar Bashkie, një i ri 27 vjecar Suel Lico qëlloi me karrike në drejtim të tij, duke plagosur një 65 vjecar. Opozita u shpreh se Lico ishte i njohur për lidhjet e tij me njerëz të pushtetit. Ngjarja u dënua sot nga kryetari I parlamentit Ilir Meta, ndërsa kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat “Të gjithë rastet që kanë të bëjnë me cënim të cfarëdolloj, të cilitdo aktivitet të partisë suaj apo cdo partie, dhe që hyn në përgjegjësitë e forcave të rendit, trajtohen me përgjegjësinë më të lartë nga forcat e Rendit. Policia e ka ndaluar menjëherë. Pse e ndali nuk është merita, është detyra që policia e bën se nuk merr urdhra nga ne për fushatën, dhe nuk ndalon punën e vet se ka fushatë”, deklaroi zoti Rama

Një tjetër cështje e debatuar së fundmi, ajo e deklarimeve të kryeministrit gjatë një takimi me stafin elektoral në Shkodër zuri vend në polemikat e sotme në sallë. Në bisedën, regjistrimin e së cilës e publikoi ish kryeministri Berisha, zoti Rama dëgjohet të kërkojë angazhimin e drejtorëve të së majtës në fushatë dhe arritjen e një rezultati pozitiv, përndryshe sipas tij të nesërmen e zgjedhjeve është “koha për ti hapur vendin dikujt tjetër”.

Për opozitën kjo përbën një përpjekje për manipulimin e votave ditën e zgjedhjeve. “Janë ca drejtorë, tha, që na kanë nxjerrë bojën. Na kanë nxjerrë bojën, tha, po këta tani kanë mundësinë dhe rastin të plotësojnë kreditet e tyre duke vjedhur votat e shqiptarëve. Se si mund t’i marrin votat e shqiptarëve ndryshe këta drejtorë të cilëve u ka dalë boja”, tha kryetari i grupit demokrat Edi Paloka ndërsa komentonte deklarimet e kryeministrit.

Fillimisht socialistët reaguan duke deklaruar se nuk bëhej fjalë për drejtorë administrate por drejtorë operacionalë, si pjesë e organizimit të fushatës. Ndërsa sot zoti Rama dha këtë shpjegim: “Në mbledhjet tona janë të pranishëm edhe drejtorët në administratë që janë pjesë e strukturave drejtuese të partisë socialiste. Sigurisht që në ato takime ne japim detyrat tona, por asnjëherë, kurrë, për të vjedhur votat sic keni bërë ju”, u shpreh zoti Rama duke ju drejtuar deputetëve demokratë.

Pjesë tjetër e debatit ishte dhe çështja e rregjistrimit të një numri të pazakontë banorësh në qytetin e Durrësit. Bëhet fjalë për mbi 2200 persona vetëm në gjashtë javët e fundit.  Partia demokratike paraqiti kallëzim për kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.Zoti Rama u kundërpërgjigj duke deklaruar se dhe kandidatja e demokratëve në Durrës, Grida Duma është rregjistruar si banore me qera te shtëpia e një të afërmi të saj dhe se sipas tij e gjithë kjo histori do të përfundojë duke turpëruar opozitën. Për rregjistrimet e fundit në Durrës edhe Komisioni qëndror i zgjedhjeve ka kërkuar hetim nga prokuroria. za

GJERMANIA PARASHIKON DYNDJE TJETËR AZILANTËSH NGA SHQIPËRIA

VOAL – Hamburg, 7 maj – “Shqiptarët nuk kanë asnjë shans për azil në Gjermani. Megjithatë ata largohen turma- turma nga vendi i tyre”. Kështu shkruan e përditshmja e njohur gjermane, Welt, që ka parë një raport të Zyrës Federale për Emigrantët.

Raporti thekson se deri më tani nuk ka ndonjë tregues për rënien e trendit.
“Për shkak të situatës së pandryshueshme të vështirë ekonomike dhe sociale në Shqipëri, presim që edhe në të ardhmen të vazhdojë vala e lartë e emigrimit”, thuhet në raport.

Pikërisht për kësaj tendence, kjo zyrë ka rritur parashikimin për numrin e azilkërkuesve deri në 450 mijë.

Deri tani parashikimi ishte për 300 mijë.
Sipas të dhënave, që akoma nuk janë të plota, 20 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil.
Qëllimi i Gjermanisë është që Shqipëria të shpallet një vend i sigurt origjine, për të përshpejtuar largimin e azilkërkuesve.

9 maji 1945 – PËRVJETORI I ROBNISË STALINISTE NË EUROPË Nga FRITZ RADOVANI

9 Maji 1945  “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË

■Ma në fund u gjet edhe mënyra per me shkatrrue Europen e qytetnueme!

■Edhe pse të gjithë e kishin kuptue se kush ishte Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqësi i tij

diktatori Stalin, as Rusvelti dhe as Çërçilli nuk ishin në gjendje me i caktue cakun se deri

ku mund të shtrihej sundimi i tij, madje, shpesh, edhe tue harrue barbarizmin e tij.

Fatkeqsia e popujve të Europës e ma vonë të Azisë, ishte se Rusvelti asnjëherë nuk arrijti

me kuptue mjeshtrinë diplomatike të Stalinit per me sigurue zonat e influences së vet!

■Atëherë kur Stalini dukej sikur kishte dalë nga vetvetja e po fliste në Jalta, pra në muejn

Shkurt 1945, per “zgjedhje të lira dhe të drejtën e vetvendosjes në zonat e lirueme”,  ishte

ajo kohë kur ushtria sovjetike i kishte pushtue të gjitha ato, e do të vepronte si donte ai!

Stalini shkoi edhe ma perpara tue propozue edhe “Qeveri Demokratike në të gjithë

Europën Lindore, të daluna nga zgjedhjet e Lira nder ata shtete!” Pikrisht, kur ushtria

sovjetike vazhdonte marrshimin drejtë pushtimit të Tokave të tjera drejtë Berlinit!

■Prova ma e sakta e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po

përgatiteshin në Jugosllavi, dhe shtetin e varun prej saj në Shqipninë komuniste. Pra,

Stalini zgjodhi dy shtete që nuk ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte

vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!

■Me 9 Maji 1945, Stalini kishte arrijtë shtrimjen e vet deri në lumin Elba…

■Në të gjitha shtetet e Europës Lindore (e ma shumë nder ata Perëndimore), Stalini, jo

vetem, nuk lejoi zgjedhje të lira, po edhe perforcoi poziten e partive komuniste nder të

gjitha shtetet ku kishte kjoftë edhe vetem një ushtar sovjetik, ndersa, nga pikpamja e

tyne “demokratike”, ata ishin dhe mbeten deri diten e fundit “parti staliniste”…

■”Perandoria e së keqes” Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike ase BRSS, me

datën 9 Maji 1945 kishte 16 “republika bolshevike” që shtriheshin deri nder kufinjtë e

Koresë dhe në Lindjen e Largët… poshtë me dalje në Detin e Zi dhe Adriatik e Jon… dhe

me një territor të pushtuem ku, mbizotnonte diktatura staliniste nder këto shtete: Letoni,

Estoni, Lituani, Poloni, Gjermani Lindore, Çeki e Sllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari,

Jugosllavi dhe Shqipnia ynë “Dera e Adriatikut”, e “Paktit të Varshavës”!

■Sikur të kalonim para syve tanë vetem portretet e udhëheqësve komunistë të këtyne

vendeve para vitit 1990, tue fillue nga Oneker i Gjermanisë apo Çaushesku i Rumanisë, e

deri tek anadollaku i Shqipnisë Ramiz Alia… Vetem atëherë, do të kuptonim fatin e zi të

Popujve tanë, që per 70 vjetë vuejten nën diktaturen e pashoqe staliniste bolshevike.

■Nëse historia e BRSS nuk do ti harrojë kurrë “Gulagët” e Stalinit, apo ata tmerret e

kampeve të shfarosjeve në Siberi… As Populli Shqiptar nuk do të fundosin në “Arkivin e

Harresës” asnjëherë: Torturat, masakrat dhe zhdukjet e bame nga hetuesit dhe vrasësit

komunistë, nder 26 Burgjet dhe hetuesit e Shkodres nga viti 1944… e përgjithmonë!

***

■Në këte 70 vjetor të datës 9 Maji 1945, Putin i Rusisë… ka mendue me dekorue edhe

24 vetë, që po i thonë se janë “shqiptarë’’: Rustem PEÇI, Odhise PORODINI,

Sul DOMI, Gjike KURTIQI, Ziqiri MERO, Faik ALIAJ, Servet AGALLIU, Orhan

FRASHËRI, Gjemal KACANI, Spiro JANI, Llutfie MERO, Gjon BANUSHI,

Manushaqa MIKO, Lefkoshe PAPAJANI, Alfred MOISIU, Rita MARKO, Ballëm

META, Kadri DINGU, Asllan GROPASI. Nuk i njoh! Edhe mund të jenë…

■Më çuditë vetem një fakt: Si përputhet mendimi i Putin me veprimin e kryeministrit

Edi Rama, që në gjithë listen nuk ka mujtë me gjetë asnjë emen “katolik” ashtusi, edhe

kryeministri Rama, tash dy vjet “nuk gjenë asnjë katolik, per ambasador në Vatikan”!!

A mos asht një kujtesë kjo e vitit 1945…Që, përkon me Sulltan Mehmetin e II…në 1478…

■“Në Shqipni, të mos mbetet …Asnjë Katolik!”…

Melbourne, 7 Maji 2015.

ARBNORA DUSHI – RRËFIME NGA HISTORIA E FAMILJEVE SHQIPTARE QË I NDAU 40 E SA VJET KUFIRI SHTETËROR

VOAL – SHKODËR – Historitë origjinale të marrëdhënieve njerëzore të familjeve që kanë jetuar përgjatë gati 40 viteve të ndarë nga kufiri ideologjik mes Shqipërisë dhe Kosovës nën ish-Jugosllavi, janë një parajsë studimesh për antropologët dhe sociologët. E ndërsa në Shqipëri ende nuk kemi të prezantuar një tendencë të thellimit të studimeve mbi këto marrëdhënie, shembulli vjen nga Kosova. Kjo qasje e sjellë pranë publikut shkodran, ndër metodat e reja të hulumtimeve që bëhen sot në botë njihet me emrin histori gojore dhe përfaqëson përjetimin e folur të historisë, por që më tepër afron me folklorin.

Studiuesja Arbnora Dushi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës ka rrëfyer në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, historitë gojore të familjes së saj: gjyshes, nënës e sigurisht të vetin, një dëshmi ndërbreznore mbushur me përjetime traumash të shkaktuara nga ideologjia e ndarjes së kufirit. Emocionet e përcjella tek të pranishmit në sallë shkaktuan përlotje, habi e hera-herës çudi rreth atij realiteti i cili i kishte ndarë për së gjalli njerëzit për afro 50 vjet. Ai kufi kishte krijuar dy realitete të ndryshme: ai këndej dhe ai andej, ‘ne’ dhe ‘ata’, Gjakova dhe Kukësi, Shqipnia dhe Kosova. Vetëm fakti sesi e tërë familja këndej dhe andej kufirit angazhohej për t’u bërë pjesë e një takimi absurd në kufi, të trondiste. Visheshim bukur dhe pas shumë tentativash për të marrë leje në polici (që më së shumti vinin negative) shkonim në pikën kufitare të Morinës për t’u njohur fizikisht me njëri-tjetrin. Rrinim përballë më shumë se 100 m larg e mes nesh qëndronin ushtarët të armatosur,-rrëfente studiuesja,- thjesht rreshtoheshim dhe nuk kishim të drejtë as të ngrinim duart.

Në ngjashmëri me rastin personal znj. Dushi paraqiti edhe disa raste të tjera intervistash gojore të cilat transmetonin botën e brendshme shpirtërore, formimin, imagjinatën dhe botëkuptimet personale të gjithsecilit me intriga dramatike përbrenda. Dy realitete që sa larg, sa afër lidheshin vetëm përmes fijesh shpirtërore njerëzore, të përkthyera këto në letra poste, telegrame, fotografi familjare që u dërgoheshin njëri-tjetrit këndej dhe matanë kufirit, kaseta me zërin e dokumentuar, relike simbolike dhe ajo që i përmblidhte gjithçka ishte kujtesa e tyre kolektive. Brenda saj ruhej çdo emocion njerëzor, brenda saj ruheshin lidhjet shpirtërore të familjes së ndarë, brenda saj ruhej identiteti i tyre i nëpërkëmbur. Kufiri ishte veçse një vijë njëdimesionale në dukje, por një hapësirë shumëdimensionale në emocione.

LIGJVËNËSIT E NJU JORKUT NDEROJNË BESËN SHQIPTARE – I PRANISHËM PRESIDENTI NISHANI

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ishte dje në Albany, kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut, ku u prit nga ligjvënësit e atij shteti dhe së bashku nderuan rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Nishani, i cili arriti në SHBA të hënën, mori pjesë në një numër ceremonish solemne që kishte organizuar me këtë rast legjislatura e shtetit Nju Jork.

Presidenti i Shqipërisë u prit në sallat e legjislaturës së shtetit Nju Jork në Albany nga udhëheqës të Dhomës dhe të Senatit të këtij shteti.

Organizimi i të gjitha ceremonive dhe takimeve prestigjoze u realizua me ndihmën e zotit Mark Gjonaj, shqiptaro-amerikani i parë i zgjedhur si anëtar i Asamblesë së shtetit Nju Jork.

Në një takim me udhëheqësit e legjislaturës së shtetit dhe me personalitete të tjera të njohura, u fol për rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në takim ishin edhe përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare.

Presidenti Nishani tha se hebrejve në Shqipërinë e luftës nuk iu desh ta fshihnin identitetin e tyre dhe historianët kanë arritur në përfundimin se në Shqipëri gjatë luftës nuk u kryen akte dëbimi ose viktimizimi kundër hebrejve:

Bujar Nishani, President i Shqipërisë

“Shqipëria numëronte një numër disa herë më të madh hebrenjsh në territorin e saj në mbarim të Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim të Luftës. Ajo shihet si vendi i vetëm në Evropë që shënon një rekord të tillë.”

Sot, tha Presidenti i Shqipërisë, për fat të keq në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Evropën, po vërehen ndjenja në rritje të anti-semitizmit. Sumi i fundit terrorist në Francë, por edhe ato në vende të tjera na kujtojnë se ajo që u arrit 70 vjet më parë po vihet në pikëpyetje përsëri.

Presidenti Nishani tha se paragjykime të tilla nuk duhen lejuar të prekin brezat e rinj dhe mësimet e nxjerra nga historia nuk duhen harruar.

Fotografi i njohur Norman Gershman, punimet e të cilit shërbyen si pikënisje për realizimin filmit të njohur dokumentar “Besa”, foli në takim mbi disa mësime nga jeta e tij personale që kanë të bëjnë me shqiptarët. Ne, tha ai, duhet të ngulitim konceptin e besës, sidomos tek të rinjtë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë botën.

Norman Gershman, fotograf me famë botërore

“Eksporti i Shqipërisë nuk është qumështi, as zarzavatet ose frutat. Është besa”.

Kur shkoj në Shqipëri dhe takohem me njerëz, familjet e të cilëve kanë shpëtuar hebrenj, tha fotografi i njohur, zakonisht 7 janë myslimanë dhe tre katolikë ose ortodoksë. Por, pavarësisht nga besimi, të gjitha ato familje e përqafuan besën, pa dallim.

Në Shqipëri dhe në Kosovë, tha zoti Gershman, shqiptarët, duke vënë jetën në rrezik, nuk strehuan vetëm hebrenjtë e qyteteve dhe të fshatrave të tyre por edhe mijëra refugjatë që i kishin shpëtuar nazizmit nga vendet e tjera evropiane.

Ai tha se shpreson që filmi Besa të emërohet për çmimin Oscar në Hollivud.

Në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Nju Jork, anëtari i saj Mark Gjonaj, prezantoi në sallë Presidentin Nishani dhe pastaj paraqiti një rezolutë, ku flitej për rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në mbështetje të rezolutës folën disa anëtarë të Asamblesë, të cilët vunë në dukje këtë rol të Shqipërisë.

Presidenti Nishani u prit ngrohtë nga deputetët që kishin mbushur sallën.

Një ceremoni tjetër u mbajt në sallën e senatit, ku u miratua një rezolutë e ngjashme. Presidenti Nishani mbajti aty një fjalim, ku tha se rezoluta vlerëson mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës dhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Edhe në rezolutën e senatit thuhej se më tepër se 2 mijë hebrenj i mbijetuan përndjekjes naziste në Shqipëri. Popullsia vendëse i fshehu ata duke rrezikuar jetën e saj, madje në disa raste, kjo u pagua edhe me jetë, thuhej aty.

Presidenti Nishani u kthye në qytetin e Nju Jorkut, ku do të qëndrojë disa ditë për takime me komunitetin dhe me personalitete të tjera. za

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA ‘ZEMËROHET’ SËRISH ME EDI RAMËN

Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklarateve të kryeministrit të Shqipërsië Edi Rama për bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014Autoritetet serbe reaguan me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet nga mjetet serbe të informimit të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria, nuk do të bashkohen kurrë, në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë që të ndalen së provokuari jo qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai në një postim në rrjetin social Twitter.Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrujeshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Në këtë intervistë ai ka tërhequr vërejtjen që “nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptarë që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

www.voal-online.ch

Send this to a friend