VOAL

VOAL

Yates dëshmon për kontaktet e Michael Flynn me rusët

Në SHBA, një hetim i FBI-së si dhe hetimet e Kongresit rreth kontakteve të fushatës së zotit Trump me Rusinë nuk po i ndahen administratës, megjithëse kanë kaluar rreth katër muaj nga fillim i presidencës Trump.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka hedhur poshtë këtë histori si “lajm të rremë”, por hetimet nuk po japin shenja se mund të përfundojnë shpejt.

Një nënkomision Juridik i Senatit dëgjoi të hënën ish-prokuroren e përgjithshme Sally Yates, e cila u shkarkua në ditët e para të administratës Trump, si dhe ish-drejtorin e zbulimit kombëtar James Clapper, në kohën e Presidencës Obama.

Zonja Yates tregoi për bisedën e saj më 26 janar me Shtëpinë e Bardhë, të cilën e paralajmëroi për kontaktet e këshilltarit të sigurimit kombëtar Michael Flynn me ambasadorin rus në Uashington Sergej Kislyak.

Ajo tha se kishte patur dy takime dhe një telefonatë me këshilltarin juridik të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn lidhur me shqetësimet se ish-këshilltari i sigurimit kombëtar Michael Flynn mund të bëhej objekt shantazhi nga rusët.

Zonja Yates tregoi se i kishte thënë zotit McGahn se rusët ishin në dijeni për atë që kishte bërë zoti Flynn dhe se rusët e dinin që gjenerali Flynn kishte mashtruar nënpresidentin dhe të tjerët për atë që kishte bërë. Zonja Yates nuk specifikoi se për çfarë konkretisht ishte fjala.

Ajo tha se ia kishte dhënë këtë informacion Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Donald Trump në mënyrë që ai të mund të ndërmerrte veprimet e duhura.

Zonja Yates tha se ishte shqetësues fakti që rusët kishin ndikim tek zoti Flynn.

Gjithashtu të hënën, tre ish-zyrtarë të administratës Obama thanë se ish Presidenti e kishte paralajmëruar zotin Trumpin që të mos e merrte si këshilltar zotin Flynn. Paralajmërimi ishte bërë gjatë një takimi që ajo pati me të në Zyrën Ovale menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit.

Ish-zyrtarët thonë se zoti Obama ngriti pranë zotit Trump shqetësimet e përgjithshme rreth gjeneralit Flynn dhe i tha presidentit të ardhshëm se mund të gjendeshin njerëz më të mirë për postin e këshilltarit të sigurimit kombëtar.

Alarm për një goditje elektromagnetike të Koresë së Veriut mbi SHBA

Koreja e Veriut mund të përgatisë një goditje elektromagnetike në SHBA me anë të dy satelitëve të saj që tashmë rrotullohen mbi Amerikë, paralajmërojnë ekspertët.

Ka frikë që Pheniani po krijon fshehurazi aftësinë për të shpërthyer një armë bërthamore në lartësitë e hapësirës, duke vendosur një EMP që do të copëtonte sistemet elektrike më poshtë me rezultate katastrofike, shkruan britanikja “Daily Mail”.

Koreja e Veriut ka dy satelitë të vëzhgimit të tokës të lëshuara në vitet 2012 dhe 2016, ku secilit prej tyre i duhet 74 minuta për t’u rrotulluar rreth orbitës së tokës.

Dr Peter Vincent Pry, drejtor ekzekutiv i Task Force mbi Sigurinë Kombëtare në SHBA thotë se Koreja e Veriut po i pozicionon satelitët satelitët e saj në një “epokë bërthamore të raketave, versionin e kiberazheve (cyberage)” të diplomacisë së betejës në mënyrë që ata të kenë gjithmonë njërin prej satelitëve mbi SHBA’të ose afër tyre.

Me siguri, Pheniani mund të jetë frymëzuar nga një plan i Bashkimit Sovjetik për të sulmuar Amerikën me një goditje elektromagnetike gjatë Luftës së Ftohtë.

Obama e kishte paralajmëruar Trumpin për Mike Flynn dhe Korenë Veriore

Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, e kishte paralajmëruar presidentin e tanishëm Donald Trump kundër emërimit të Mike Flynn si këshilltar të tij të sigurisë kombëtare, tre zyrtarë të ish-Administratës Obama kanë thënë për NBC News.

Paralajmërimi, i cili nuk ishte raportuar më herët, erdhi më pak se 48 orë pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, kur të dy u ulën për të biseduar për 90 minuta në Zyrën Oval, transmeton Express.

Këta zyrtarë kanë thënë se Obama e kishte bërë të qartë se nuk ishte adhurues i Michael Flynn. Por, një zyrtar tjetër ka thënë se komenti i Obamas u duk se u bën si në shaka.

Ky zbulim vjen në një ditë kur ish-Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Sally Yates, pritet që të dëshmojë se Flynn e gënjeu Shtëpinë e Bardhë për kontaktet e tij me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara.

Paralajmërimi i Obamas u bë para se të ngreheshin shqetësimet në Shtëpinë e Bardhë rreth kontakteve të Flynnit me ambasadorin rus, ka thënë njëri prej zyrtarëve. Obama bëri një paralajmërim të përgjithshëm se ai besonte se Flynn nuk ishte i përshtatshëm për një post aq të lartë në Administratën Trump, shtoi ky zyrtar.

Dy zyrtarët po ashtu thanë se Obama e kishte paralajmëruar Trumpin edhe për Korenë Veriore duke i kërkuar që të ishte syhapur.

SHBA paralajmëron Danimarkën për gazin rus

SHBA deklaroi se është kundër kalimit të tubacionit të “Nord Stream 2” nëpërmjet kufijve të Detit Baltik në Danimarkë, që mundëson që gazi natyror i Rusisë të arrijë në Gjermani

KOPENHAGË – SHBA-ja ka deklaruar se është kundër kalimit të tubacionit të “Nord Stream 2” nëpërmjet kufijve të Detit Baltik në Danimarkë, i cili do të mundësojë që gazi natyror i Rusisë të arrijë në Gjermani.

Zv/ministri i Energjisë së SHBA-ve, Robin Dunnigan në një deklaratë për gazetën ‘Berlingske’ të Danimarkës tha se nuk është e logjikshme që tubacioni “Nord Stream 2” të kalojë nëpërmjet kufijve detarë të Danimarkës në Detin Baltik.

Dunnigan tha se qeverisja e Kremlinit përdor gazin natyror si kartë kur dëshiron ta shkatërrojë një shtet. Ai kërkoi nga Danimarka që të mos lejojë që ky projekt të kalojë përmes territorit të saj.

Disa politikanë të Danimarkës mendojnë se Evropa është shumë e varur nga gazi natyror i Rusisë. Edhe qeveria mendon se vendimi lidhur me temën duhet të merret nga Komisioni i Bashkimit Evropian (BE). Partia Demokrate Sociale dhe ajo Socialiste Liberale mbështesin qeverinë lidhur me këtë temë.

Ministri i Energjisë së Danimarkës, Lars Christian Lilleholdt më parë ka deklaruar se kjo është jo vetëm çështje e Danimarkës por edhe e Evropës.

Dy zyrtarë të administratës Obama do të dëshmojnë për “ndërhyrjen ruse” në zgjedhje

Dy zyrtarë të lartë të administratës së ish-presidentit Barack Obama, më 8 maj do të dëshmojnë para një komiteti të Senatit, si pjesë e hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara më 2016.

Para Komitetit për Drejtësisë të Senatit do të dëshmojë, Sally Yates, e cila qëndroi në administratën Trump përpara se të largohej nga puna 10 ditë më pas. James Clapper, që ka shërbyer si drejtor i inteligjencës kombëtare në administratën Obama, po ashtu do të dëshmojë para këtij komiteti.

Senati dhe komitetit për inteligjencë të Dhomës së Përfaqësuesve po ashtu janë duke hetuar ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore dhe për çfarëdo lidhje që mund të ketë pasur në mes të Moskës dhe ekipit të Trumpit.

Yates pritet të dëshmojë për atë se çfarë dinte administrata e Trumpit për komunikimet me zyrtarët rusë para dhe pas zgjedhjeve, të ish-këshilltarin e presidentit për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Flynn u largua nga puna nga presidenti Donald Trump më 13 shkurt, vetëm 24 ditë pasi kishte marrë detyrën.

Trump kishte deklaruar se e ka përjashtuar nga puna Flynnin për shkak se ai kishte gënjyer se kishte biseduar me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara gjatë periudhës tranzitore të pushtetit në SHBA.

Ndërkaq, Clapper me gjasë pritet të dëshmojë në atë se a ka ndonjë provë se anëtarët e ekipit tranzitor të Trumpit, kanë bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Hillary Clinton bën thirrje në mbrojtje të “Obamacare”

Pasi Presidenti amerikan Donald Trump e shpalli “në thelb të vdekur” ligjin për kujdesin shëndetësor të administratës Obama, sepse Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres kaloi me një shumicë të ngushtë projek-ligjin që shfuqizon dhe zëvendëson ligjin e njohur si “Obamacare.”, ka reaguar me një tweet në Twitter Hillary Clinton:

“Një dështim i turpshëm i oplitikës dhe moralit të GOP (Partia Republikane) sot, Do ta vazhdojmë luftën në emër të miliona familjeve që do të dëmtohen nga veprimet e tyre”.

Pas dështimit të përpjekjes së parë, administrata e re u përfshi në negociata intensive. Presidenti Trump dhe nënpresidenti Mike Pence ia dolën të ofrojnë një variant që mori votat e mjaftueshme për të vazhduar debatin në Senat. Shtëpia e Bardhë pritet të përballet me sfidën e fortë të miratimit të ligjit në Senat, ku diferenca mes votave është më e ngushtë.

Por presidenti Trump premtoi fitore, ndërsa festonte me republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratimin e projekt-ligjit republikan për të shfuqizuar disa klauzola dhe për të zëvendësuar disa të tjera nga ligji “Obamacare” për kujdesin shëndetësor.

SHBA, papunësia më e ulëta në 10 vjet

Ekonomisë amerikane iu shtuan 211 000 vende të reja pune gjatë muajit prill.

Kjo shihet si një shenjë bindëse se rënia ekonomike në tre muajt e parë të vitit mund të jetë e përkohshme.

Sipas Departamentit të Punës, shkalla e papunësisë u ul në 4.4 për qind, pika më të ulët në një dekadë, nga 4.5 për qind që ishte në muajin mars.

Gjatë këtij viti, mesatarisht janë shtuar 185,000 vende të reja pune në muaj, duke përkuar me ritmin e fortë të vitit të kaluar.

Ky është një tregues se deri më tani zhvillimi i tregut të punës nën Presidentin Donald Trump ngjan shumë me atë të vitin 2016 nën presidentin Barack Obama.

Trumpi më 25 maj do të takohet me liderët e BE-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të takohet me liderët më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel, gjatë turneut të tij të parë jashtë vendit si president, kanë konfirmuar zyrtarët evropianë.

Trump do të takohet me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me atë të Këshillit të Evropës, Donald Tusk më 25 maj, në ditën kur presidenti amerikan do të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

“E konfirmuar Tusk dhe Junker do të takohen me presidentin Trump në Bruksel më 25 maj”, ka shkruar në Twitter, Preben Aamann, zëdhënës i Tuskut.

Trump ka irrituar liderët evropianë, pasi ka parashikuar se edhe vende të tjera do “të largohen” nga BE-ja, pas Britanisë së Madhe.

Juncker ka bërë shaka duke thënë se Trump po inkurajon lëvizjet për pavarësi të shteteve në SHBA, nëse ai vazhdon të shpreh mbështetje për Brexit-it.

Por së fundmi, Trump ka shprehur mbështetjen për Bashkimin Evropian.

Trump më 4 maj ka thënë se do të nisë turneun e parë, ku do të qëndrojë në Arabinë Saduite, Izrael dhe Vatikan.

SHBA zhvendos një seli ushtarake dhe 100 trupa në Poloni

Tanket e SHBA-së në Poloni

 

Misioni në Evropë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara ka thënë se 100 trupa dhe selia e tyre taktike janë zhvendosur nga Gjermania në Poloni, për të ndihmuar forcat amerikane që tashmë janë të vendosur në atë rajon.

Rreth 6 mijë trupa amerikane janë vendosur këtë vit në këtë rajon, pas veprimeve të Rusisë në lindje të Ukrainës. SHBA ka kërkuar po ashtu prezencë më të madhe të trupave aleate.

Misioni i Atlantikut, mision i SHBA-së në Evropë, ka thënë se selia e tyre taktike, në nivel të divizionit është rivendosur më 29 prill në qytetin perëndimor të Poznanit, për të komanduar forcat në rajon, ku SHBA nuk ka pasur prezencë të konsiderueshme ushtarake në të kaluarën.

Rajoni përfshinë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Gjermaninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Misioni ka thënë se kjo zhvendosje do të rrisë aftësinë për të reaguar më shpejt dhe për tu mbrojtur në mënyrë më efikase nga çdo kërcënim.

SHBA: Ligjvënësit mbështesin masa të reja kundër ndikimit të Rusisë

Pamje nga Kremlini

 

Kongresi në SHBA ka autorizuar 100 milionë dollarë, në përpjekje për të luftuar “ndikimin dhe agresionin rus” dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në Evropë dhe Euroazi.

Ligjvënësit amerikanë më 4 maj kanë mbështetur një masë që imponon kufizime të reja dhe mbikëqytjen e diplomatëve rusë në Shtetet e Bashkuara- një masë që Moska e ka paralajmëruar SHBA-në që të mos e vendos.

Të dy përpjekjet u përfshinë në buxhetin 1.1 trilion dollarësh, që do të financojë qeverinë federale, i cili u miratua nga Senati. Tani ai do të dërgohet për nënshkrim tek presidenti, Donald Trump.

Fondi prej 100 milionë dollarësh është produkt i disa propozimeve që kanë qarkulluar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin amerikan muajt e fundit, pasi ligjvënësit kanë kërkuar që të ndalojnë ndërhyrjen e Rusisë në Evropë dhe gjetkë.

Një numër i madh i demokratëve dhe republikanëve kanë vënë në dukje rritjen e lajmeve të rrejshme, financimet e huaja për partitë politike, propagandën dhe aktivitetet e tjera të fshehta, si indikacione për një përpjekje agresive ruse për të ndërhyrë ose për të përmbysur qeveritë që duken armiqësore ndaj Moskës.

Fushatat zgjedhore në Francë dhe Gjermani kanë rënë nën hijen e dyshimeve për përfshirjen e Rusisë si dhe zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.

Fondi prej 100 milionë dollarëve i quajtur “Fondi i Ndikimit rus”, është dedikuar posaçërisht për grupet “e shoqërisë civile të përfshira në sundimin e ligjit, media, programe kibernetik dhe të tjera në Evropë, përmes së cilave forcohen insitutcioneve dhe proceset demokratike që kundërshtojnë ndikimin dhe agresionin rus”, thuhet në këtë legjislacion.

Votohet projektligji që shfuqizon Obamacare

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama

 

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka kaluar një projektligj përmes së cilit do të zëvendësohen pjesët kryesore të ligjit të kujdesit shëndetësor, të njohur si Obamacare.

Më 4 maj, 217 ligjvënës votuan pro ndryshimit, ndërkaq 213 ishin kundër. Për të kaluar ky projektligj, ishin të nevojshme 216 vota.

Megjithatë, ky projektligj duhet të votohet në Senat, ku republikanët kanë 52 vota, ndërkaq 48 kanë demokratët. Ndërkaq, 60 vota janë të nevojshme që Senati të kalojë këto ndryshime.

Presidenti Donald Trump e ka pasur shfuqizimin e Obamacare premtim kryesor të fushatës së tij.

Projektligji i Republikanëve i quajtur Akti Amerikan i Kujdesit Shëndetësor, do të shfuqizojë shumicën e taksave që lidhen me Obmacare dhe do t’i jap fund dënimit ndaj amerikanëve që nuk kanë sigurim shëndetësor. Gjithashtu do të shkurtohen fondet për Medicaid, që ndihmon në sigurimin e të varfërve.

Përpjekja e parë për ta rrëzuar këtë ligj dështoi në mujain mars, edhe pse Partia Republikane, nga e cila vjen Trump, kontrollon të dyja dhomat legjislative.

SHBA lëshon një raketë të fuqishme nga Kalifornia, për t’i dhënë mesazh Kim Jong Un-it

Forcat ajrore amerikane njoftuan se kishin kryer lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) të paarmatosur, një test i kryer që nga Kalifornia.

“Raketa Minuteman III u lëshua nga baza e Vandenbergut” sipas një komunikate të komandantit operacional të ushtrisë ajrore.

Raketa përshkoi rreth 6 700 kilometra para zbritjes pranë një ishulli koralor në oqeanin Paqësor në ishujt Marshall ku ndodhet në një qendër ushtarake amerikane për testimin e raketave balistike.

“Bëhet fjalë për një test rutinë dhe nuk nënkupton një demostrim force në kuadër të tensionit me Korenë e Veriut për çështjen e programeve bërthamore dhe balistike”, deklaroi një zëdhënës i komandantit operacional, Joe Thomas, ehd epse mediat kane spekulluar se është një mesazh për Kim Jong-un.

Raketa Minuteman III, që mund të pajiset me një kokë bërthamore, është testuar me të njëjtën mënyrë rreth katër herë në vit”, theksoi një zëdhënëse tjetër e komandës operacionale, Linda Frost.Express

Tillerson: Midis SHBA-së dhe Rusisë “nuk ka pothuajse fare besim”

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se, tash për tash, “nuk ka pothuajse fare besim” midis SHBA-së dhe Rusisë.

Tillerson i përmendi marrëveshjet për kontrollin e armëve dhe Ukrainën si zona ku, siç tha, Moska “nuk është e dobishme sot”.

Ai i bëri këto komente për stafin në Departamentin e Shtetit në Uashington, derisa prezantoi të ardhmen e këtij institucioni nën presidentin Donald Trump dhe përballë reduktimeve të mundshme të buxhetit të tij.

“Po bëjmë disa përpjekje për të stabilizuar fillimisht marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë. Ushtruesi i detyrës së zëvendëssekretarit të Shtetit, Thomas Shannon, është duke udhëhequr përpjekjet e një grupi punues, për të parë nëse mund t’i adresojmë disa gjëra që irritojnë marrëdhëniet, që na e bëjnë të vështirë të bisedojmë me njëri-tjetrin”, tha Tillerson.

Ai tha se planifikon të diskutojë për bashkëpunim në zgjidhjen e konfliktit në Siri me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në margjina të një mbledhjeje të Këshillit Arktik në Alaskë, më 10-11 maj.

Tillerson po ashtu tha se SHBA është duke përgatitur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut në përgjigje të programit të vazhdueshëm bërthamor të Phenjanit.

Ish-këshilltarja e Obamës nuk dëshmon për “ndërhyrjen ruse” në zgjedhje

Susan Rice

 

Këshilltarja për siguri kombëtare e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, refuzoi të dëshmojë para Senatit për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Avokatja e Susan Rice i njoftoi liderët e Komitetit të Senatit për Drejtësi.

Dy ish-zyrtarë të tjerë të Obamës pritet të dëshmojnë: ish-ushtruesja e detyrës së prokurores së përgjithshme, Sally Yates, dhe ish-drejtori i inteligjencës kombëtare, James Clapper.

Rice u bë pjesë qendrore e hetimeve të Komitetit kur presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ajo mund të ketë kryer krim kur ka kërkuar nga analistët e inteligjencës të zbulojnë emrin e një bashkëpunëtori të Trumpit, të përmendur në një raport të inteligjencës.

Rice tha se nuk ka bërë asnjë gabim.

Avokatja e saj, Kathryn Ruemmler, tha se Rice i mbështet hetimet e Komitetit, porse është e rrallë për Kongresin të kërkojë dëshmi nga këshilltarja e ish-presidentit për siguri kombëtare.

Lajmet e rreme dhe sfidat e gazetarisë

Në SHBA, mediat e financuara me fonde publike, private dhe të qeverisë federale thonë se gazetaria e sotme përballet me shumë sfida, duke përfshirë lajmet e rreme. Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve dhe Fakulteti i Mediave të Universitetit George Washington mbajtën një forum mbi rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shtypit dhe sigurisë së gazetarëve si dhe mbi rolin që luajnë gazetarët amerikanë në trasmetimet për jashtë.

Ekspertët në forum folën mbi urinë në rritje të publikut për informacion të saktë dhe përpjekjet e disa qeverive për ta kufizuar këtë lloj informacioni.

“Ata përpiqen të kontrollojnë informacionin në vendet despotike por edhe në disa vende që neve mund të na duken demokratike. Kontrolli i informacionit është bërë një mjet kryesor i qeverisë së tyre. Në këto vende është bërë jashtëzakonisht e vështirë madje e rrezikshme të mbledhësh lajme.”

John Lansing, kreu i Bordit të Transmetimeve, tha se informacioni në këto vende po kthehet gjithnjë e më shumë në një armë.

“Shihni se çfarë po ndodh dhe kjo vjen nga Kremlini. Nuk janë thjesht lajmet e rreme. Është më shumë një strategji për të treguar se faktet e thjeshta nuk ekzistojnë më. Tani faktet po sfidohen në mbarë botën nga këto regjime dhe kjo po ndodh edhe në Turqi.”

Javën e kaluar organizata Reporterët pa Kufij publikoi treguesin vjetor të lirisë së shtypit në botë. Rusia zinte vendin e 148 nga 180 vende gjithsej. Organizata thotë se nga viti 2012, mediat kryesore të pavarura ose janë vënë nën kontrollin e qeverisë, ose janë detyruar të zhduken. Turqia ra në vendin e 155, ose 5 vende më poshtë.

Sipas organizatës Freedom House, liria e shtypit në botë ka rënë në nivelin më të ulët në 13 vjet. Një nga arsyet janë kërcënimet e reja ndaj gazetarëve dhe mediave në demokracitë e mëdha.

“Jo vetëm që është e vështirë për ne ta sjellim botën më pranë amerikanëve, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta sjellë Amerikën në botë për shkak të klimës që është krijuar. Nuk është vetëm çështja e ligjit apo e rrezikut, por e respektimit të shtypit”, thotë Elise Labott, gazetare e rrjetit CNN.

Presidenti Donald Trump e ka quajtur median “armik të popullit amerikan” dhe ka akuzuar disa media amerikane se përhapin “lajme të rreme”. Organizata Reporterët pa kufij thotë se sulmet e zotit Trump ndaj mediave po i nxitin udhëheqësit e tjerë në botë të keqtrajtojnë mediat e tyre.

Në përgjigje të pyetjeve nëse Zëri i Zmerikës do të mbetet i paanshëm dhe nuk do të bëhet një zë i administratës Trump, zoti Lansing tha se njerëzit duhet të kuptojnë se një gjë e tillë do të ishte e paligjshme në bazë të Kartës së Zërit të Amerikës.

Clinton merr përgjegjësi për humbjen, por fajëson Rusinë dhe FBI-në

Në intervistën e saj të parë të gjatë, që nga humbja e zgjedhjeve presidenciale nëntorin e vitit të kaluar, Hillary Clinton pranoi përgjegjësinë e saj për rezultatin. Por ajo fajësoi gjithashtu Rusinë si dhe drejtorin e FBI-së James Comey për ndihmën që siç tha, i dhanë rivalit republikan Donald Trump të shënojë atë që është cilësuar, si një fitore e papritur. Ish sekretarja amerikane e shtetit bisedoi me gazetaren e njohur Christine Amanpour gjatë një forumi të grave në Nju Jork.

Sipas zonjës Hillary Clinton, nëse zgjedhjet do të ishin zhvilluar më 27 tetor, ajo sot do të ishte presidente.

Isha drejt fitores deri në momentin kur kombinimi i letrës së Jim Comey më 28 tetor me WikiLeaksin rus, ngritën dyshime në mendjet e njerëzve që ishin të prirur të votonin për mua, por që u frikësuan“.

Ish kandidatja presidenciale e Partisë Demokrate kryesonte në sondazhet parazgjedhore deri në momentin kur drejtori i FBI njoftoi se do të rihapte një hetim lidhur me përdorimin nga zonja Clinton të emaileve personale ndërsa ishte Sekretare e Shtetit.

Edhe pse zonja Clinton nuk u akuzua për ndonjë krim, fushata e saj pësoi një goditje fatale vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve. Në janar 2017, komuniteti amerikan i zbulimit tha se kishte arritur në përfundimin se presidenti rus Vladimir Putin kishte urdhëruar një fushatë për të minuar zgjedhjen e zonjës Clinton dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitonte.

Hillary Clinton, ish zonjë e parë, ish senatore si dhe ish sekretare e shtetit, thotë se është kthyer në një qytetare politikisht aktive. Në intervistën e dhënë dje ajo foli dhe mbi zhvillimet politike botërore aktuale, përfshirë kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Sipas saj fuqia ushtarake është vetëm një nga mjetet për mbrojtjen e interesave amerikane dhe se diplomacia e zhvillimi janë po aq të rëndësishëm.

Koreano veriorët kanë qenë gjithnjë të interesuar për të tërhequr amerikanë në negociatat, jo vetëm Kim Jong Un, por dhe babai i tij më parë. Kjo për të ngritur statusin dhe pozicionin e tyre. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë drejtim. S’mund të ofrosh negociata në mungesë të një kuadri strategjik më të gjerë, në mënyrë që Kina, Japonia, Rusia dhe Korea e Jugut të ushtrojnë presion mbi regjimin, për t’i sjellë ata më në fund në një tryezë negociatash me qasje realiste për ndryshim“.

Zonja Clinton njoftoi se po shkruante një libër për përvojën e saj si gruaja e parë e kandiduar për presidente nga një parti e madhe politike.

Shefi i FBI-së përballë pyetjeve të vështira në Senat

Shefi i FBI-së James Comey tha se nëse dikush mendon se agjencia e tij mund të ketë pasur ndikim te fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kjo e bën të ndjejë një farë neverie.

Disa ditë përpara votimeve, FBI-ja rihapi një hetim rreth përdorimit të një serveri privat nga kandidatja demokrate Hillary Clinton kur ishte sekretare e shtetit.

Zoti Comey, drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, tha përpara një komisioni të Senatit se kishte qenë në një dilemë të madhe para se ta bënte publik rihapjen e hetimit.

Hetimi rihapej ndërkohë që vetëm disa muaj më parë hetuesit kishin deklaruar se zonja Clinton nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Por zoti Comey tha se do të kishte qenë “katastrofike” nëse nuk do ta bënte publik informacionin.

“Ishte një zgjedhje e vështirë, por unë ende besoj se ishte e drejtë,” tha shefi i FBI-së. “Të fshihje këtë hetim, kjo do të kishte qenë vdekje për FBI-në”, tha ai.

FBI-ja normalisht përpiqet të mos i bëjë publike hetimet rreth kandidatëve përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultatin e votimit.

Por zoti Comey tha se “për asnjë çast të vetëm” nuk kishte menduar se rihapja e hetimit mund ta ndihmonte zotin Trump të fitonte në zgjedhjet e nëntorit.

Të martën, zonja Clinton fajësoi pjesërisht zotin Comey për humbjen në zgjedhje. Ajo tha se ishte duke fituar, kur vetëm 11 ditë përpara votimeve, zoti Comey bëri publik hetimin e ri.

Hetimi erdhi pasi FBI-ja zbuloi në një kompjuter mijëra e-maile të zonjës Clinton, të kohës kur ajo kishte qenë sekretare e shtetit.

Kompjuteri i përkiste ish-kongresmenit Anthony Weiner, bashkëshorti i ndarë i zonjës Huma Abedin, ndihmëse kryesore e zonjës Clinton.

Botohet libri i ri i Ivanka Trumpit

Libri i botuar nga “Penguin Random House”, ka filluar të distribuohet në librari nëpër tërë vendin duke filluar nga data 2 maj

NEW YORK – Del në treg libri i ri i vajzës dhe këshilltares së presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, i cili përmban këshilla për gratë.

Libri i Ivanka Trump “Women Who Work: Rewriting the Rules for Success” (Gratë që punojnë: Rishkrim i rregullave të suksesit), i botuar nga “Penguin Random House”, ka filluar të distribuohet në librari nëpër tërë vendin duke filluar nga data 2 maj. aa

Zyrtarët e inteligjencës: Rusia me “sukses” arriti të krijojë mosmarrëveshje në SHBA

Rusia arriti të krijonte mosmarrëveshje politike në Shtetet e Bashkuara, duke ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e cila do ta nxisë Moskën që të provojë sërish të bëjë një gjë të tillë, kanë thënë zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane.

Ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper dhe ish-kryetari i Komitetit për Inteligjencë, Mike Rogers, gjatë një diskutimi në universitetin Harvard, janë pajtuar se Rusia ka gjasa që të provojë sërish të arrijë këtë qëllim edhe në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit në Francë dhe Gjermani.

“Qëllimi i tyre ishte që të krijojnë pakënaqësi dhe mosbesim në zgjedhjet tona. Ata donin që ne të grindeshim kur ato të mbaronin”, tha Rogers në një ngjarje në Kembrixh. “Është duke ndikuar në procesin legjislativ sot. Ky është shumë sukses”.

Clapper tha se Rusia që një kohë të gjatë ka kërkuar që të ndikojë në sjelljen e votuesve ameriaknë por Moska, sipas tij, zbuloi se këtë mund ta bëjë me kosto të ulët, duke përdorur rrjetet sociale, si Facebook-u, për të shpërndarë informacione të rreme.

“Kjo është sjellja më agresive dhe më e drejtpërdrejtë që ata kanë pasur në zgjedhjet tona”, tha Clapper.

Trumpi dhe Putini biseduan për Sirinë dhe Korenë e Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë folur në telefon për herën e tretë, që prej se Trump u zgjodh presidnet.

Biseda e zhvilluar më 2 maj ishte para ndërmjet dy liderëve që prej se SHBA kreu sulmin me raketa ndaj një baze ajrore siriane, në përgjigje të sulmit kimik ndaj civilëve të kryer nga forcat e qeverisë siriane.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, kjo bisedë është përshkruar si “bisedë e mirë”, ku dy liderët kanë biseduar për luftën në Siri, për “punën e përbashkët për të zhdukur terrorizmin në Lindjen e Mesme” dhe “për të zgjidhur më së miri situatën shumë të rrezishme në Korenë e Veriut”.

Shtëpia e Bardhë po ashtu ka njoftuar se Uashingtoni do të dërgojë përfaqësues në bisedimet e paqes për Sirisë, që do të mbahen më 3 dhe 4 maj në Astana të Kazakistanit.

Ndërkaq Kremlini ka thënë se dy liderët kanë koordinuar veprimet e të dyja shteteve në luftën kundër terrorizmit.

Moska ka thënë po ashtu se Trump dhe Putin janë pajtuar për të rritur dialogun në mes të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov, në përpjekjet për të gjetur zgjidhje për luftën në Siri.

Kremlini ka thënë se dy liderët kanë shprehur mbështetjen e tyre për idenë e organizimit të një takimi kokë më kokë, në margjinat e samitit të G20-ës, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Hamburg të Gjermanisë.

Në çështjen e Koresë së Veriut, Kremlini ka thënë se Putini i ka bërë thirrje Trumpit të tregojë përmbajtje dhe të bëjë përpjekje për të ulur tensionet.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pas programit bërthamor dhe testeve të raketave balistike të Koresë së Veriut.

Senatori John McCain: “Ballkani po nxehet përsëri dhe Washingtoni nuk duket gjëkundi”

Në një opinion për The Washington Post, Senatori John McCain ndër të tjera shkruan: “Këtë muaj, gjatë udhëtimit nëpër shtatë vende në Evropën Juglindore, u ndala në Sarajevë dhe qëndrova mbi Urën Latine, në këndin e rrugës që ndryshoi botën, ku një plumb vrau Archduke Franz Ferdinand dhe shkaktoi një cikël dhune dhe lufte në gjysmën e parë të shekullit të 20 dhe ricikloi luftë përsëri në Evropën Juglindore  në dekadën e fundit të shekullit.

Ishte një kujtim i zymtë i një adazhoje të vjetër se, ndërsa historia nuk e përsërit veten, ajo bën rimë. Evropa Juglindore, një rajon që ndodhet në udhëkryqin e historisë, përsëri përballet me sfida në rritje. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet të fillojnë t’i kushtojnë më shumë vëmendje” nënvizon Senatori McCain, që ishte edhe kandidat për president të SHBA, i cili në vijim shkruan se: “Rritja ekonomike në pjesën më të madhe të rajonit ka qenë e pamjaftueshme për t’u dhënë të rinjve mundësinë për të ndjekur e përmbushur qëllimin e jetës në vendet e tyre të origjinës. Administrata e fryrë, rregullat bizantine dhe korrupsioni i përhapur janë pengesë për realizimin e potencialit të pashfrytëzuar ekonomik të këtij rajoni.

Më tutje Senatori Mccain nënvizon se: “Tensionet politike janë në rritje. Maqedonia është në mes të një krize politike. Partia opozitare e Shqipërisë ka bojkotuar parlamentin që nga shkurti.

Pasiguria vazhdon për të ardhmen e Bosnjës dhe Herzegovinës të bashkuar. Provokimet e fundit kanë përkeqësuar tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, duke penguar përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.”

Dhe më tutje shton: “Vetëm vitin e kaluar, 19 të dyshuar u arrestuan në Kosovë në një komplot të organizuar nga Shteti Islamik për të kryer një akt terrorist gjatë një ndeshje futbolli midis Izraelit dhe Shqipërisë. Ndërsa Shteti Islamik përballet me disfata të pashmangshme në Mosul dhe Raqqa, terroristët tashmë po marrin urdhra për të sulmuar objektivat perëndimorë, potencialisht duke përfshirë disa në Evropën Juglindore.”

Duke paraqitur këtë situatë kritike Senatori McCain në opinionin e tij botuar në WP vë theksin se “Duke patur parasysh këto sfida, nuk është për t’u habitur se në çdo ndalesë që kam bërë, kam dëgjuar të njëjtën lutje për rivendosjen e udhëheqjes amerikane. Shtetet e këtij rajoni janë të gatshëm për t’u përballur me sfidat e tyre. Por ata nuk mund ta bëjnë atë vetëm. Dhe partneri i tyre i zgjedhur janë Shtetet e Bashkuara. Pra, çfarë mund të bëjmë tani?

Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të shfaqen. Një kryeministër i një vendi europiano- juglindor më tha, se në asnjë rajon tjetër të botës fjalët e liderëve amerikanë nuk kanë peshë më të madhe për të nxitur një veprim kuptimplotë drejt progresit. Kjo është arsyeja pse angazhimi i vazhdueshëm dhe vizitat më të shpeshta në rajon nga zyrtarët e lartë të SHBA-ve në rajon janë kaq të rëndësishme.

Së dyti, Shtetet e Bashkuara duhet të vijojnë mbështetjen e tyre për vendet e Evropës Juglindore për integrimin e tyre në institucionet Euro-Atlantikke që janë NATO dhe Bashkimi Evropian. Është ky proces i integrimit që ofron shpresën më të madhe për paqen dhe prosperitetin në rajon. Kjo do të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin fuqimisht programet që ndihmojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, hapa thelbësorë në rrugën e integrimit euroatlantik. Ne gjithashtu duhet të inkurajojmë Bashkimin Evropian, pavarësisht nga sfidat e tij, për të mbajtur derën hapur për kombet e Evropës Juglindore që ende shpresojnë të bashkohen.

Së fundi, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin të drejtën e çdo vendi të Evropës Juglindore për të zgjedhur të ardhmen e vet pa ndërhyrje të jashtme, qofshin ato të një Rusie agresive që kërkon të reduktojë kufijtë e Europës përmes dhunës ose terroristëve që kërkojnë të shkatërrojnë Qytetërimin tonë të përbashkët. Zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit të sigurisë me aleatët dhe partnerët tanë rajonalë është thelbësore.

Pas dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për një Europë që të jetë e tërë, e lirë dhe në paqe. Ne e bëmë këtë sepse një brez i shtetarëve e kuptoi se lidershipi amerikan ishte thelbësor për arritjen e paqes dhe prosperitetit në Evropë, e cila ishte dhe vazhdon të jetë në interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, ne kemi bërë zgjedhjet dhe sakrificat për ta përkrahur këtë angazhim: në mbarë Evropën gjatë Luftës së Ftohtë, në Bosnje dhe Kosovë në vitet 1990, dhe sot në vendet në krahun lindor të NATO-s. Ne duhet të jemi të përgatitur që ta përkrahim këtë angazhim përsëri në Evropën Juglindore, sepse mësimet e historisë janë të qarta: Nëse e injorojmë këtë rajon, kjo do të përbëjë rrezik për ne./ Përkthimi jo integral nga Elida Buçpapaj

https://www.washingtonpost.com/news/democracy-post/wp/2017/04/27/the-balkans-are-heating-up-again-and-washington-is-nowhere-to-be-seen/?utm_term=.233c2413d95b

Zyrtarët francezë: Xhihadistët po përpiqen të ndikojnë tek zgjedhjet

Zyrtarë të lartë francezë thonë se sulmi i së enjtes në Paris dhe një tjetër sulm që po planifikohej, por që u zbulua nga policia në Marsejë në fillim të javës, janë pjesë e një përpjekjeje të radikalëve islamikë për të ndikuar tek rezultati i zgjedhjeve në Francë.

Autoritetet druhen se mund të jenë duke u planifikuar edhe sulme të tjera terroriste, përfshirë ndoshta edhe një sulm ditën e votimeve.

“Ata duan të ndikojnë tek jeta politike në Francë, përmes ndikimit të drejtpërdejrë tek ecuria e votimeve, madje edhe tek organizimi i tyre”, i tha gazetës “Le Figaro” Thibault de Montbrial, ish kryetar i Qendrës për Analiza dhe Parashikime në Ministrinë e Jashtme të Francës.

Autoritetet franceze thonë se personi i armatosur, u identifikua menjëherë pas sulmit nga grupi terrorist Shteti Islamik përmes agjencisë së lajmeve Amaq të vetë grupit terrorist, si Abu Yousif al-Bajiki shtetas belg. Ai hapi zjarr ndaj një makine të policisë të parkuar në bulevardin Champs-Élysées, duke goditur tre policë dhe një turist gjatë sulmit jashtë një dyqani veshjesh të firmës “Marks and Spencer”.

Ai ishte armatosur me një pushkë Kalashnikov dhe e vranë ndërsa përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes. Njëri prej policëve të qëlluar me armë vdiq në vendin e ngjarjes. Fillimisht dëshmitarët thanë se polici ishte vrarë kur ishte brenda në makinë, e cila ishte e parkuar tek semaforët. Dëshmitarët thanë se autori i sulmit doli nga një tjetër makinë dhe filloi të qëllonte me armë pa asnjë lloj hezitimi.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Francës tha se në këtë sulm mund të jenë përfshirë më tepër se sa një person dhe konfirmoi se në shënjestër “ishte vënë qëllimisht policia”. Një tjetër person i dyshuar iu dorëzua vetë policisë të premten në qytetin Antuerp të Belgjikës.

Presidenti francez François Hollande zhvilloi të premten një takim urgjent me këshilltarët e tij kryesorë dhe me shefat e sigurisë, për të diskutuar mbi masat e sigurisë që duhen marrë të dielën, ditën e zgjedhjeve.

“Policit që u vra në një mënyrë prej frikacakësh do t’i bëhen homazhe në nivel kombëtar”, – u tha gazetarëve udhëheqësi francez.

Eksperti britanik i anti-terrorizmit, Olivier Guitta, i tha Zërit të Amerikës se marrja e menjëhershme e përgjegjësisë nga ISIS, diçka e pazakontë, tregon se sulmi jo vetëm që ishte “frymëzuar” nga grupi terrorist, por gjithashtu ishte planifikuar prej tij.

“Është shumë e madhe mundësia që të ketë sulme terroiste në zgjedhjet presidenciale të Francës,”- tha ai. “Xhihadistët do të përpiqen të ndikojnë tek votimet”, shtoi Guitta, drejtues i firmës konsulente për sigurinë, GlobalStrat, me seli në Londër.

Sulmi me armë i së enjtes ndodhi ndërsa 11 kandidatë zyrtarë të votimeve ishin duke zhvilluar një debat që po transmetohej drejtpëdrejt në televizionin francez.

Disa komentatorë politikë thanë se sulmi mund të shtojë përkrahjen për Marine Le Pen, kandidaten populiste të së djathës ekstreme, e cila thotë se imigracioni përbën kërcënim për sigurinë dhe kulturën e Francës.

Kundërshtarët e zonjës Le Pen thonë se xhihadistët duan që ajo të fitojë, duke thënë se politikat e vijës së ashpër që propozon ajo kundër imigracionit, do të ndihmonin grupet militante si Shteti Islamik që të shtonin rekrutimet; por përkrahësit e zonjës Le Pen e kundërshtojnë këtë pretendim.

Gjatë debatit, Le Pen, e cila sipas anketave kryeson raundin e parë të zgjedhjeve të së dielës, por që ka humbur terren ditët e fundit, theksoi përsëri thirrjen e saj që Franca të largohet nga zona e lëvizjes së lirë, e Shengenit dhe të vendosë kontrolle më të mëdha në kufi.

“Përballë nesh ndodhet fluksi i imigrantëve. Duhet të kontrollojmë kufijtë, përndryshe ne nuk kemi për ta ndalur dot këtë valë!” – tha ajo.

Me të mësuar lajmin për sulmin në Paris, kandidatët i shtuan sipas mënyrës së vet propozimet për masa të forta për ta mbrojtur Francën nga terrorizmi.

“Mjaft më me butësinë dhe me naivitetin”, – deklaroi Le Pen. Kandidati konservator François Fillon propozoi arrestimin e qindra të dyshuarve si militantë, të përfshirë në listën e terroristëve, sikurse ishte edhe autori i sulmit të së enjtes.

Anketuesit thonë prej javësh se gara presidenciale po zhvillohet tepër e ngushtë mes të katër kandidatëve: Le Pen, Fillon, kandidatit të qendrës dhe pro-BE-së Emmanuel Macron dhe atij të majtë Jean-Luc Melenchon. Analistët kanë thënë se një ngjarje e minutës së fundit mund ta ndryshojë prirjen e deritanishme të fushatës zgjedhore.

Macron, i cili ka qenë ministër i ekonomisë dhe që ka pak eksperiencë për çështjet e sigurisë, pati një ton më të përmbajtur se sa Le Pen dhe Fillon në debatin e së enjtes, duke paralajmëruar se Francës do t’i duhet të jetojë me terrorizmin për shumë vite me radhë. Në një anketë në mes të javës, Macron doli se kishte më tepër mbështetje se sa zonja Le Pen.

Të martën, policia në Marsejë arrestoi dy të dyshuar për plane immediate për sulm terrorist në Francë.

Policia tha se kishte gjetur lëndë shpërthyese dhe armë në një apartament me lidhje me të dyshuarit. Kandidatët presidencialë u paralajmëruan nga shefat e sigurisë të rrisnin masat e veta të sigurisë.

Shefi i zbulimit i Francës, tha se dy personat e arrestuar, të dy rreth të njëzetave, të lindur në Francë, dyshohet se po planifikonin një sulm për ditën e zgjedhjeve.

Dy vjet më parë, Partia Fronti Kombëtar i Le Penit doli e para në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale, disa javë pas sulmeve terroriste në Paris në vitin 2015, ku humbën jetën 130 persona. Por në raundin e dytë mbështetja për këtë parti ra dhe ajo nuk arriti të sigurojë kontroll politik në asnjërin prej rajoneve.

Sessions: Arrestimi i Julian Assange do të jetë përparësi e SHBA

Kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, thotë se arrestimi i Julian Assange është një përparësi. Komentet nga kreu i Departamentit amerikan të Drejtësisë u bënë ndërsa në media qarkullojnë njoftime se qeveria amerikane po përgatit akuza ndaj shtetasit australian.

Duke folur nga Teksasi, zoti Sessions tha dje se Departamenti i Drejtësisë po i shton përpjekjet për të ngritur akuza ndaj personave që rrjedhin informacion të klasifikuar në media:

“Ne po i rrisim përpjekjet kundër rrjedhjes së informacionit. Kjo ka marrë përmasa më të mëdha se çdo gjë tjetër. Kemi njerëz profesionistë të sektorit të sigurisë në SHBA që tronditen prej volumit të madh të informacionit të nxjerrë, një pjesë e të cilit është serioz. Pra, është përparësi që ta luftojmë.”

Deklarata bëhet vetëm një muaj pasi Wikileaks botoi rreth 8 mijë dokumente që pretendohet se hedhin dritë rreth mjeteve dhe programeve sekrete të CIA-s për të ndërhyrë në kompjutera, celularë dhe madje në televizorët inteligjentë.

Wikileaks kishte publikuar më parë 250 mijë kabllograme të Departamentit të Shtetit, si dhe qindra mijëra materiale të ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka hetuar zotin Assange të paktën që nga viti 2010, kur Wikileaks publikoi mijëra dokumente sigurie të vjedhura nga qeveria amerikane.

Akuzat që mund të ngrihen ndaj zotit Assange përfshijnë konspiracionin, vjedhjen e pronësisë qeveritare dhe shkelje të Ligjit të Spiunazhit. Akuzat do të duhet të miratohen nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë.

Gjatë një fjalimi javën e kaluar në Uashington, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, tha se Wikileaks instruktoi një analist të zbulimit ushtarak amerikan të gërmonte për “informacione sekrete të caktuara” të Shteteve të Bashkuara.

Turqia afër arritjes së marrëveshjes për blerjen e sistemit raketor rus

Sistemi raketor S-400

 

Bisedimet mes Turqisë dhe Rusisë për blerjen e sistemin e mbrojtjes raketore të tipit S-400, është në “fazën finale”, edhe pse kjo nuk do të thotë se marrëveshja do të nënshkruhet menjëherë, ka thënë ministri turk i Mbrojtjes, Fikri Isik.

Isik ka thënë se në një konferencë për media se vendet e NATO-s nuk kanë prezantuar ndonjë ofertë të leverdisshme për ndonjë sistem alternativ të mbrojtjes. Turqia, që është anëtar i NATO-s, më 2015 anuloi një tender prej 3.4 miliardë dollarësh për raketa mbrojtëse me rreze të gjatë veprimi, duke thënë se shteti do të prodhojë vet sisteme raketore por më pas ndërroi mendjen.

“Është e qartë se Turqisë i duhet sistem i mbrojtjes raketore”, ka thënë ministri turk.

“Puna për blerjen e S-400 është në fazën finale. Por kjo fazë nuk do të thotë se marrëveshja do të nënshkruhet menjëherë”, ka thënë ai.

Trumpi akuzon Iranin se nuk po i përmbahet marrëveshjes bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka akuzuar Iranin se nuk po përmbush zotimet nga marrëveshja bërthamore, që u arrit me fuqitë botërore dhe ka thënë se SHBA shpejt do të përgjigjet për këtë gjë.

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, gjatë vizitës së kryeministrit italian, Paolo Gentiloni më 20 prill, Trump ka përsëritur kritikat e tij se marrëveshja bërthamore me Iranin, është marrëveshje e keqe.

“Irani është në mospërputhje me frymën e marrëveshjes”, tha Trump.

“Ne jemi duke analizuar me shumë kujdes dhe do të themi diçka për këtë gjë në një të ardhme jo të largët”, shtoi ai.

Komentet e Trumpit vijnë pas disa kritikave të bëra nga zyrtarë të lartë të administratës amerikane, për marrëveshjen e vitit 2015, e cila kërkon që Irani të kufizojë aktivitetet bërthmore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve nga vendet perëndimore.

Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se marrëveshja ka dështuar që të arrijë qëllimin kryesor, atë të ndalimit që Irani të zhvillojë armë bërthamore.

DASH, thirrje të gjitha partive në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhje

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një deklaratë të lëshuar të enjten, thuhet se Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike, Ambasador Thomas A. Shannon, u takua me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati, për të folur mbi interesat e përbashkëta në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rajon.

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, riafirmoi partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, mbështetjen e fortë të SHBA ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për reformën e gjyqësorit dhe angazhimin e përbashkët ndaj vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut.

Nënsekretari Shannon, thuhet në deklaratë, theksoi gjithashtu rëndësinë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Trumpi do të marrë pjesë në disa samite në Azi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të marrë pjesë në një seri të samiteve që do të organizohen në nëntor në Azi, në shenjë “të angazhimit të palëkundër” të Amerikës në rajon, ka thënë nënpresidenti amerikan Mike Pence.

Presdienti amerikan do të marrë pjesë në takimet e Asociacionit të Kombeve të Azisë Lindore (ASEAN) që do të mbahet në Filipine, ndërkaq po ashtu do të marrë pjesë në takimin e grupit për Bashkëpunim Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC) në Vietnam, tha Pence gjatë vizitës së tij, në Xhakarta të Indonezisë.

Ish-presideti amerikan, Barack Obama kishte tentuar që të rifokusojë politikën e jashtme amerikane në këtë rajon, për të balancuar ndikimin në rritje të Kinës.

Pjesëmarrja e presidentit Trump në këto takime “është shenjë, shpresoj për të gjithë, për angazhimin tonë të palëkundur për të ndërtuar mbi bazat e forta që tashmë kemi”, tha Pence.

Ish-presidenti i SHBA George H.W. Bush përsëri në spital

George H.W. Bush është dërguar përsëri në spital për shkak të një ftohjeje të rëndë (pneumoni)

HOUSTON – Presidenti i 41-të i SHBA-ve, George H.W. Bush, është dërguar përsëri në spital. Nga ish-presidentët që ende jetojnë, Bush është në moshën më të thyer. Momentalisht ai është në moshën 92-vjeçare. Zëdhënësi i tij, Jim McGrath, përmes një deklarate me shkrim, ka thënë se është dërguar përsëri në spital për shkak të një ftohjeje të rëndë (pneumoni).

McGrath ka thënë se gjendja e tij është e mirë, ndërsa ka shtuar se duhet të rrijë për një kohë nën kujdesin e mjekut.

Bush edhe muajin e shkuar ishte dërguar në spital për shkak të problemeve në rrugët e frymëmarrjes, ndërsa pas mjekimit doli nga spitali.

Republikani George H.W. Bush është babai i presidentit të 43-të të SHBA-ve, George W. Bush dhe ish-guvernatorit të Florida-s, Jeb Bush. George H.W. Bush ka qenë president i SHBA-ve në vitet 1989-1993.

Aeroplanët amerikanë i zmbrapsën ata rusë afër Alaskës

Pamje e aeroplanëve luftarakë amerikanë të tipit F-22 gjatë një aksioni

 

Dy aeroplanë rusë me kapacitet për bartje të bombës atomike kanë fluturuar afër Alaskës në Shtetet e Bashkuara, duke e arritur distancën prej 100 kilometrave nga ishulli Kodiak.

Kjo është hera e parë prej se presidenti amerikan, Donald Trump, është inauguruar në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar të këtij viti, që Rusia dërgon bombardues aq afër Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë thanë mbrëmë vonë se dy bombardues rusë të tipit, Tu-95 Bear, fluturuan 280 mila në jugperëndim të Bazës së Forcës Ajrore Elmendorf, brenda Zonës Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Forca ajrore aemrikane i ka ngritur dy aeroplanë luftarakë të tipit F-22, për t’i zmbrapsur bombarduesit rusë, në një operacion që ishte “i sigurt dhe profesional”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Gary Ross.

Gjatë këtij incidenti të pardjeshëm, aeroplanët luftarakë amerikanë fluturuan afër aeroplanëve rusë për 12 minuta dhe pastaj aeroplanët rusë e ndryshuan kursin, duke u kthyer prapa në bazën e tyre në pjesën lindore të Rusisë, ka raportuar rrjeti Fox News.

Marrin fund kërkimet, vrasësi i Facebook-ut vret veten

Të martën në Shtetet e Bashkuara morën fund kërkimet për një person, i cili akuzohej për postimin në Facebook të një videoje që paraqiste vrasjen e një njeriu. Pas një ndjekjeje nga policia personi i akuzuar vrau veten.

Steve Stephens akuzohej për vrasjen e një të moshuari në Cleveland të Ohajos, të dielën e Pashkës. Ai e publikoi në Facebook momentin e vrasjes dhe më pas u largua për t’i shpëtuar policisë.

Policia e shtetit të Pensilvanisë tha përmes Twitterit se oficerët e kishin parë Stephensin në distriktin Erie të martën në mëngjes. “Pas një ndjekjeje për pak kohë, Stephens vrau veten me armë zjarri”, – thuhej në deklaratën e policisë.

Stephens ishte vënë në listën e FBI-së të personave më të kërkuar dhe për informacione lidhur me arrestimin e tij ishte caktuar shumë e 50 mijë dollarëve.

Trumpi uroi Erdoganin për fitoren në referendum

Erdogan & Trump

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e uroi presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për fitoren në referendumuin e 16 prillit, i cili do t’i rrisë fuqitë presidenciale.

Në një bisedë telefonike, Trump po ashtu falënderoi Erdoganin për mbështetjen e sulmit raketor të SHBA-së në një bazë ajrore të Qeverisë së Sirisë.

Në referendum, 51.4% e votuesve turq kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Erdogan i hodhi poshtë kritikat e monitoruesve ndërkombëtarë, të cilët thanë se ai është favorizuar nga një “fushatë jo e barabartë”.

Trupi zgjedhor i Turqisë e cilësoi si të vlefshme fitoren e ngushtë të Erdoganit, pavarësisht pretendimeve të opozitës për parregullsi.

SHBA: Arrihet konsensus me Kinën për të ndaluar testet raketore të Koresë së Veriut

Parada ushtarake në Korenë e Veriut

 

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, H.R. McMaster thotë se tash ka “konsensus ndërkombëtar”- përfshirë Kinën dhe udhëheqësinë kineze- për ndalimin e testeve raktetore të Koresë së Veriut.

McMaster i bëri këto komente në Kabul, pasi ushtria amerikane njoftoi se Koreja e Veriut ka dështuar në lansimin e një rakete më herët gjatë ditës së sotme.

Komanda e Paqësorit e SHBA-së ka thënë se ka detektuar dështimin e lansimit të një rakete, disa orë përpara se Nënpresidenti amerikan, Mike Pence të arrinte në Seul të Koresë së Jugut.

Komanda amerikane ka thënë se raketa “ka shpërthyer pothuajse”menjëherë pasi është lansuar.

McMaster tha se testet e raketave nga Koreja e Veriut, i përkasin një sjellje të provokimit, destabilizimit dhe kërcënimit- dhe presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të lejojë që Koreja e Veriut ta kërcënojë SHBA-në apo aleatët rajonalë.

Ai tha se konsensusi, që përfshinë edhe Kinën, është “mënyra se si do të zgjidhet ky problem. Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha veprimet, që të tentojmë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë paqësore”.

McMaster e ka quajtur Korenë e Veriut “regjim armiqësor” dhe ka thënë se lideri verikorean, Kim Jong un është “i paparashikueshëm” dhe ka “demonstruar brutalitetin e tij”.

Ai ka shtuar se Uashingtoni është duke punuar me aleatët në rajon dhe udhëheqësinë e Kinës, për të gjetur përgjigjen e duhur për këtë çështje dhe ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë.

Mijëra protestues kërkojnë që Trumpi të deklarojë taksat

Mijëra persona në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë marshuar në protestën në “Ditën e Taksave”, me qëllim që t’i bëjnë presion, presidentit Donald Trump të publikojë taksat e tij federale.

Më 15 prill janë mbajtur protesta në dhjetëra qytete në SHBA, që përkon me afatin vjetor kur amerikanët duhet të paraqesin deklaratat e tyre tatimore në qeverinë federale.

Shumica e protestave ishin paqësore, edhe pse ka pasur disa raste ku në disa protesta ka pasur grupe pro-Trumpit, të cilët janë përballur me protestuesit që kërkojnë që presidenti të publikojë taksat e tij.

Në Berkeley, Kaliforni, të paktën 21 persona janë arrestuar pas përleshjeve në mes të mbështetësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij.

Trump ishte kandidati i parë presidencial, që për më shumë se 40 vjet, ka refuzuar që të publikojë të ardhurat e tij gjatë fushatës zgjedhore.

Asnjë kandidat presidencial nuk obligohet që të publikojë taksat e tij, por kritikët thonë se kjo gjë ka lënë të kuptohet se Trump është duke fshehur diçka.

Protestat e fundit, janë të një serie të protestave të organizuara nga demokratët, grupet e punës, organizatat e grave dhe grupe të tjera që kritikojnë Trumpin dhe politikat e tij.

SHBA heton shpëlarjen e dyshuar të parave të Rusisë në Qipro

Një anëtar i Kongresit, që po heton përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, ka udhëtuar për në Qipro, për të hetuar operacionet e shpërlarjes së parave, që mund të jenë përdorur nga Kremlini.

Qiproja prej kohësh përdoret si strehë për rusët e pasur për të fshehur fondet e tyre. Në Qipro dyshohet se Rusia ka shpërlarë miliona dollarë, si pjesë e fushatës së tyre për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.

“Llogaritë offshore, si ato që janë përdorur në Qipro, janë një prej shumë mjeteve që Kremlini përdor për të ushtruar ndikim jashtë vendit”, ka thënë përfaqësuesi demokrat Mike Quigley, i cili është anëtar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA.

“Udhëtimet e tilla i ndihmojë Komitetit tonë që të vazhdojë t’i lidhë pikat specifike të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje dhe aktiviteteve të tjera që kanë ndërmarrë në mbarë botën”, ka thënë ai, duke e quajtur udhëtimin e tij si “informativ dhe në kohën e duhur”.

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin se ka organizuar fushatën e sulmeve kibernetike dhe dezinformuese, që rezultati i zgjedhjeve të nëntorit të shkojë në favor të republikanit, Donald Trump.

Shefi i CIA-s thotë se WikiLeaks ishte shfrytëzuar nga inteligjenca ruse

Drejtori i agjencisë amerikane CIA, Mike Pompeo, e ka kritikuar organizatën, WeikiLeaks, dhe themeluesin e saj dhe i ka akuzuar se ishin “agjenci armiqësore e inteligjencës”, që ishte përdorë nga inteligjenca ushtarake ruse, për përzierje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.

Këto komente të djeshme të zotit Pompeo në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Uashington, ishin pasqyrim i mendimeve për një kohë të gjatë në mesin e ligjvënësve dhe politikbërësve amerikanë për WikiLeaksin dhe themeluesin e saj, Julian Assange.

Gjatë fushatës zgjedhore të vitit të kaluar, kjo organizatë në Internet i ka publikuar emailat e zyrtarëve të Partisë Demokratike dhe të shefit të fushatës së kandidates demokrate, Hillary Clinton.

Agjencitë e Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, në muajin janar, thanë se sulmet kibernetike kishin për qëllim dëmtimin e zonjës Clinton dhe përfitim për Donald Trumpin, i cili përfundimisht i fitoi zgjedhjet.

Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, dhe agjencinë udhëheqëse të sigurisë në Rusi, FSB, se ishin të involvuara në sulmet kibernetike dhe në ndërhyrje të tjera lidhur me zgjedhjet.

Zoti Trump, nga ana e tij, e pat mbështetur WikiLeaksin gjatë fushatës, duke thënë se kishte kënaqësi që i ka publikuar emailat e Hillary Clintonit.

SHBA përdorin bombën më të madhe jo-bërthamore kundër IS-it

Pentagoni thotë se forcat amerikane në Afganistan përdorën bombën më të madhe jo-bërthamore që disponon ushtria kundër një objekti të Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Pentagonit Adam Stump tha se kjo ishte hera e parë që një bombë e tillë, e njohur si GBU-43, përdorej në një situatë luftarake. Zëdhënësi tha se bomba përmban 11 tonë eksploziv dhe njihet si “Nëna e të gjitha bombave.”

Zoti Stump tha se bomba u hodh në një kompleks shpellash që besohet se përdoreshin nga luftëtarët e ISIS-it në qarkun Achin të provincës Nangarhar, shumë afër kufirit me Pakistanin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u tha gazetarëve në Uashington se nuk ishte në dijeni nëse operacioni ishte miratuar nga presidenti Donald Trump, por theksoi se “ne duhet t’i mohojmë ISIS-it hapësirë funksionale, gjë të cilën e bëmë.”

Ai tha se ushtria mori të gjitha masat e nevojshme për të shmangur viktimat mes civilëve.

Bomba u hodh në përgjigje të “përdorimit në rritje të bunkerëve dhe tuneleve” nga ISIS-i, tha gjenerali John Nicholson, komandant i forcave amerikane në Afganistan.

“Ky është municioni i duhur për të reduktuar këto pengesa dhe për të mbajtur gjallë ofensivën tonë kundër ISIS-it”, tha Nicholson.

Pentagoni nuk ka njoftuar se sa dëm i është shkaktuar bazës së ISIS-it apo nëse ka pasur viktima.

Trump në Twitter: Gjërat ndërmjet SHBA dhe Rusisë do të jenë të mira

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot në rrjetin Twitter e ka pulbikuar një vlerësim optimist për raportet me Rusinë në afat të gjatë, duke thënë se “gjërat do të funksionojnë mirë ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë”.

“Në kohën e duhur secili do të arrijë në ndërgjegjësimin e vet dhe do të ketë paqe të qëndrueshme”, ka shkruar, po ashtu, Trump.

Ky postim u bë më pak se 24 orë pasi presidenti Trump tha se udhëtimi i sekretarit amerikan të shtetit, Rex Tillerson, në Moskë, ka shkuar “mjaft mirë” dhe “ndoshta më mirë se që është pritur”, por se raportet SHBA-Rusi “ndoshta janë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave”.

Në komentet e tij dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump është shprehur se do të ishte “fantastike” sikur të dy shtetet të afroheshin, por ka tërhequr vërejtjen se “mund të ndodhë e kundërta”.

Lavdërimet e zotit Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe për bashkëpunim më të mirë, i patën shtuar pritjet në Moskë për përmirësim të marrëdhënieve, pasi Trump u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, por tensionet kanë vazhduar.

Trumpi – Stoltenbergut: Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Siri

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës së brendshme brutale në Siri, për të mposhtur terroristët dhe për të siguruar kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre”, tha Trump

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump në konferencën e përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dënoi edhe njëherë masakrat e regjimit në Siri. “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës së brendshme brutale në Siri, për të mposhtur terroristët dhe për të siguruar kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre”, tha Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump dhe Stoltenberg pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë ku dhe u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në lidhje me luftën e brendshme në Siri Trump tha se “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës së brendshme brutale në Siri, për të mposhtur terroristët dhe për të siguruar kthimin e refugjtëve në shtëpitë e tyre”.

Duke vënë në dukje rëndësinë e punimeve së bashku me NATO-n për zgjidhjen e problemeve në Siri Trump tha: “I jemi mirënjohës vendeve anëtare të NATO-s dhe aleatëve për mbështetjen e dhënë në dënimin e masakrave që Asadi ka kryer duke përdorur armë të tmerrshme. Masakrimi me armë kimike në mënyrë të tmerrshme i civilëve të pafajshëm, madje duke pëfrshirë fëmijët dhe foshnjat dhe që kanë nevojë për ndihmë, duhet të refuzohet kategorikisht nga të gjithë popujt që e vlerësojnë jetën e njeriut”.

Kritika qeverisë së Moskës

Pasi ka shprehur kritika për qeverinë e Moskës për shkak të mbështetjes që i ofron regjimit të Asadit, presidenti Trump thotë se: “Aktualisht me Rusinë nuk biem aspak dakord. Sikur të dakordohemi do të ishte shumë mirë. Me shumë gjasa marrëdhëniet tona me Rusinë mund të jenë në nivelin më të ulët”.

Në pyetjen nëse kanë patur apo jo dijeni rusët për sulmin kimik në Idlib, Trump thekson se “Rusia punon ngushtë me regjimin e Sirisë dhe mundësia është e lartë që të ketë dijeni nga këto sulme”. Megjithatë duke mos përdorur shprehje të prera Trump duke iu referuar hetimeve në vazhdim tha se “Do të shikojmë rezultatet”.

“NATO nuk është e dalë nga përdorimi”

Trump deklaroi se “NATO nuk është organizatë që ka dalë nga përdorimi” në konferencën e përbashkët për media me Stoltenberg dhe u tërhoq nga ajo që kishte thënë më parë se “NATO është e dalë nga përdorimi”.

Presidenti amerikan ka bërë thirrje edhe njëherë në çështjen e pagesës së shumave që vendet anëtare kanë premtuar.

Më tej Trump njoftoi se së shpejti do të dërgojë në Afganistan këshilltarin e Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster dhe do të kërkojë që të bisedojë me elementët aleatë të NATO-s atje mbi çështjet në luftën kundër terroristëve.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se SHBA-të kanë shumë aleatë të vlefshëm brenda NATO-s dhe se marrëdhëniet SHBA-NATO janë shumë me vlerë.

Thirrje për dorëheqjen e zëdhënësit Sean Spicer

Demokratët e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje për dorëheqjen e zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer pas komenteve të djeshme gjatë konferencës së shtypit, kur tha se përdorimi i gazit nga regjimi i Asadit ishte më i rëndë se krimet e Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mes gazetarëve u dëgjua një përshpërimë habie në sallë, kur zëdhënësi Spicer pohoi se përdorimi i gazit sarin nga ushtria siriane mbi civilët tejkalonte krimet e Gjermanisë Naziste.

“Mendoj se kur flitet për gazin sarin, ai nuk e përdori gazin tek njerëzit e vet ashtu si po bën Assadi. E kuptoj habinë tuaj dhe u falenderoj që po kërkoni sqarim. Hitleri i çoi në qendrën e Holokaustit e kuptoj këtë, por po them nuk e përdori në mënyrën si po e përdor Assadi duke e hedhur në mes të qyteteve tek njerëz të pafajshëm – e vlerësoj sqarimin që kërkuat por deklarata ime nuk ishte e qëllimshme.”

Hitleri përdorimi armët kimike më vdekjeprurëse në histori. Nazistët vranë ndoshta 1 milionë njerëz, shumica hebrenj, në dhomat e gazit në kampet e përqëndrimit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë kërkoi ndjesë, duke e quajtur komentin e tij një gafë. I ftuar sot për një forum të organizuar nga Newseum ai tha:

“Bëra gabim. Nuk ka mënyrë tjetër për ta thënë ndryshe. Hyra në një temë ku nuk duhet të isha futur dhe bëra gabim. Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se të gjithë bëjmë gabime. E kuptoj gabimin dhe mendoj se njerëzit do të më falin… kjo është një javë e shenjtë për hebrenjtë dhe katolikët dhe të bësh një gafë të tillë është e pafalshme”.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi publikoi një deklaratë ku i bën thirrje presidentit Trump të largojë nga detyra zotin Spicer dhe menjëherë të dënojë deklaratën.

Kreu i Qendrës Anne Frank për Respekt të Ndërsjelltë bëri gjithashtu thirrje për dorëheqjen e zotit Spicer. Steven Goldstein akuzoi zëdhënësin se kishte mohuar Holokaustin dhe nuk kishte integritet të shërbente si sekretar i shtypit.


Send this to a friend