Radioja shtetërore ruse Sputnik filloi transmetimet në zonën e Uashingtonit, në një hap që ajo shpreson të jetë i pari për të zgjeruar audiencën amerikane duke përcjellë ato që ajo quan “lajme alternative”. Sputnik thotë se i jep zë pikëpamjeve të grupeve të pakicave dhe mbështet një program kundër linjës tradicionale. Por kritikët thonë se Sputniku funksionon si pjesë e makinerisë së propagandës të Kremlinit, që ka si synim sabotimin e institucioneve perëndimore.
Radioja ruse Sputnik thotë se transmetimet në zonën e Uashingtonit do t’u japin mundësi amerikanëve në kryeqytetin e vendit që ta dëgjojnë atë direkt dhe jo vetëm zërat që flasin për të.
“Njerëzit kanë dëgjuar shumë për ne. Për fat të keq, deri tani nuk na dëgjonin dot. Dhe njerëz që kanë folur shpesh për ne, as nuk përpiqeshin të na dëgjonin dhe të na paraqisnin ashtu siç na shihnin, të paraqisnin atë që bënim, me saktësi”, thotë shefi i zyrës së Uashingtonit, Mindia Gavasheli.
Sputniku dhe media të tjera shtetërore ruse pretendojnë se nxisin këndvështrime jotradicionale, por jo propagandën e Kremlinit
Shumë, si për shembull Robert Orttung i Universitetit “George Washington” që studion median e Kremlinit, nuk janë dakord.
“Në fund të fundit, ky është synimi i këtyre mediave, ky është synimi i politikës së jashtme ruse në përgjithësi, të sabotojnë demokracinë tonë, të minojnë besimin e popullit amerikan tek institucionet tona”.
Sputnik pushoi nga puna në maj korrespondentin e vet në Shtëpinë e Bardhë, Andrew Feinberg, i cili më pas u bë një kritik i zëshëm.
“Pa diskutim që është propagandë. Ideja se ata po sulmohen nga media është qesharake. Ata po kritikohen sepse raportojnë gjysmë të vërteta dhe në disa raste, gënjeshtra”, thotë ai.
Sputnik i hedh poshtë këto komente, duke i cilësuar si pakënaqësi të një punonjësi të pushuar nga puna.
Sputnik u ofron një platformë zërave të pakicave në Shtetet e Bashkuara por mohon se disa opinione që boton në faqen e internetit që përcjellin teori konspiracioni, përfaqësojnë linjën e tij.
“Ne botojmë një sqarim ku thuhet se mendimet e kontribuesve jo gjithmonë përputhen me linjën editoriale të Sputnikut. Ata janë të lirë të shkruajnë ç’të duan”, thotë zoti Gavasheli.
Ndërsa emisionet e Sputnikut janë kritike ndaj politikave dhe shoqërisë së Shteteve të Bashkuara, drejtuesit e programeve, si Garland Nixon, i hedhin poshtë akuzat në rritje lidhur me Rusinë, në Uashington.
“Akuzat, ngado dhe nga cilido që të vijnë nuk më shqetësojnë. Po të ketë prova, ne o studiojmë ato dhe i vlerësojmë. Por unë nuk i blej këto akuza, aq më pak po të kesh parasysh se nga vijnë”, thotë Garland Nixon, drejtues i programit “Fault Lines” në radion “Sputnik”.
Ata gjithashtu i kundërshtojnë kritikët që thonë se po kontribuojnë në një fushatë të Kremlinit kundër perëndimit.
“Nëse njerëzit duan të kritikojnë Rusinë, le ta bëjnë. Nuk më bezdis aspak. Unë për vete, nuk di si ta them ndryshe, por për mua, Rusia nuk është shqetësimi më i madh”, thotë Lee Stranahan, drejtuesi tjetër i programit “Fault Lines”.
Sputnik thotë se njerëzit duhet të lexojnë, dëgjojnë dhe gjykojnë vetë nëse bëhet fjalë për “lajme alternative” apo propaganda të Kremlinit.