VOAL

VOAL

Presidenti Trump dënon supremacistët e bardhë

Presidenti Donald Trump tha se “racizmi është një e keqe”, duke dënuar KKK-në, neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë si “kriminelë dhe banditë”.

Ai i bëri komentet në sallën e pritjeve diplomatike të Shtëpisë së Bardhë pas takimit me Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray në lidhje me dhunën me motive raciste në Sharlotsvill të Virxhinias.

Presidenti Trump ka qenë në shënjestër të kritikave për komentet e bëra të shtunën, kur u shpreh se për dhunën në Sharlotsvill duhet të fajësohen “shumë palë”. Në komentet e së shtunës ai nuk veçoi supremacistët e bardhë apo ndonjë grup tjetër urrejtjeje, edhe pse disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë në Shtëpinë e Bardhë i dënuan ata me emër.

“Kushdo që ka shkelur ligjin në dhunën raciste këtë fundjavë, do të jetë përgjegjës,” tha zoti Trump gjatë komenteve të shkurtra që bëri në Shtëpinë e Bardhë.

Deklarata erdhi dy ditë pasi ai nuk arriti të dënojë në mënyrë konkrete tubimin e supremacistëve ku u vra 32-vjeçarja Heather Heyer dhe u plagosën rreth 19 të tjerë nga një person, që sipas njoftimeve kishte prirje raciste dhe pro-naziste.

Në komentet e tij, Presidenti Trump bëri thirrje gjithashtu për unitet.

“Duhet ta duam njëri-tjetrin, të tregojmë dashuri për njëri-tjetrin dhe të bashkohemi në dënimin e urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës. Ne duhet të rizbulojmë lidhjet e dashurisë dhe besnikërisë që na bashkojnë si amerikanë,” tha ai.

NËN KRITIKA

Presidenti Donald Trump u vu nën kritika për reagimin fillestar ndaj dhunës që shoqëroi protestat në Sharlotsvill, ku u përballën demonstrues të ekstremit të djathtë me një grup anti-protestuesish. Në këtë incident një makinë goditi qëllimisht turmën, duke lënë të vrarë një protestuese dhe duke plagosur disa të tjerë.

“Dënojmë me termat më të forta të mundshme këtë shpalosje të neveritshme të urrejtjes, paragjykimeve dhe dhunës nga shumë palë,” reagoi presidenti.

Presidenti i bëri komentet pasi makina kishte goditur turmën. Reagimi i tij u përcoll me kritika se nuk ia kishte vënë fajin haptazi supremacistëve të bardhë të cilët ishin mbledhur në Sharlosvill dhe sepse komentet e tij dukej se hidhnin një pjesë të fajit edhe mbi anti-protestuesit.

Senatori republikan Orrin Hatch postoi një koment në twitter: “Duhet ta themi hapur kur kemi të bëjmë me ligësi. Im vëlla nuk dha jetën në luftë kundër nazizmit gjerman që ky problem të na shfaqet këtu”.

Edhe përkrahësi besnik i presidentit, Anthony Scaramucci tha se presidenti duhet të kishte dalë me mesazh më të fortë:

Anthony Scaramucci, ish-drejtor i komunikimeve për Shtëpinë e Bardhë, Marrë nga ABC This Week

“Mendoj se duhet të ishte treguar shumë më i ashpër në adresë të supremacistëve të bardhë”.

Shtëpia e Bardhë tha të dielën se nuk vihet në dyshim që presidenti po dënonte me komentet e tij supremacistët e bardhë dhe ekstremistë të tjerë. Zyrtarë të tjerë të administratës folën më hapur:

“Mendoj se kurdo që përdoret dhunën kundër njerëzve për të ngjallur frikë, kemi të bëjmë me një akt terrorist. Pamë një kriminel i cili kreu një akt kriminal kundër bashkëkombasve të tij amerikanë. Do të presim se çfarë do të thonë hetimet, por akti i tij mund të jetë motivuar nga urrejtja dhe paragjykimet,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, H.R. McMaster.

Personi i dyshuar për goditjen e turmës me makinë është akuzuar për vrasje me paramendim të kategorisë së dytë. Departamenti i Drejtësisë ka hapur një proces hetimor.

Kissinger: Rënia e Shtetit Islamik çon në Perandori të Iranit

Henry Kissinger, diplomat, ish-ministër dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, i njohur edhe si arkitekti i politikës së jashtme në periudhën 1969-1977, ka ndjekur me shqetësim zhvillimet në Lindjen e Mesme, luftën e forcave aleate dhe disfatën e Shteti Islamik.

Dhe ajo çfarë e shqetëson më shumë është rënia e shumëlakmuar e të vetë-vetëquajturit “Kalifati Islamik”, që sipas tij do të krijonte premisat  për forcimin e një “perandorie radikale Iranit” dhe zgjerimin e territoreve të Teheranit.

Kisinger paralajmëron se zgjedhja e një aleati në  Lindjen e Mesme apo mbajtja e njërës apo tjetrës anë në kushtet e konflikteve të armatosura  mund të sjellë shumë probleme, shkruan Respublica.

“Thënia se armikut i armikut tuaj mund të konsiderohet si miku yt” në këtë rast nuk vlen. Lindja e Mesme ndikon botën për shkak të paqëndrueshmërisë së ideologjike dhe disa akteve“, shkruan Kissinger në një artikull për CapX.

“Lufta me Shtetin Islamik mund të shërbejë si një shembull. Forcat që nuk janë të lidhura me Shtetin Islamik, duke përfshirë shiitët e Iranit dhe anëtarët e udhëheqjes sunite të disa vendeve bien dakord mbi nevojën për shkatërrimin e Shtetit Islamik.

Por cila njësi ekonomike mund të supozojmë se do të trashëgojë territorin e ISIS? Një koalicion i sunitëve? Apo ai do të jetë një sferë e ndikimit iranian? Përgjigja na devijon për shkak se Rusia dhe vendet e NATO-s vendet mbështesin grupeve kundërshtare. Nëse tokat e Shtetit Islamik pushtohen nga forcat e Gardës Revolucionare dhe grupet shiite, rezultati mund të jetë krijimi i një “zone” territoriale që do të shtrihej nga Teherani në Bejrut dhe mund të shënonte krijimin e një Perandoria Radikale të Iranit“, përfundon Kissinger.

Drejtori i CIA-s, Pompeo: Koreja e Veriut është afër të bëhet fuqi bërthamore

“Koreja e Veriut vazhdon me zhvillimin e armëve bërthamore. . Punojnë për rreth 20 vite dhe janë afër të bëhen fuqi bërthamore”, deklaroi drejtori i CIA-s, Pompeo

UASHINGTON – Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-ve (CIA), Mike Pompeo tha se Koreja e Veriut vazhdon testimet bërthamore por nuk posedon ndonjë informacion se janë në prag të një lufte bërthamore me Korenë e Veriut

Pompeo në një deklaratë për televizionin “Fox News Sunday” foli mbi zhvillimet lidhur me Korenë e Veriut.

Ai tha se Pheniani është duke vazhduar punimet për armët bërthamore. “Koreja e Veriut vazhdon me zhvillimin e armëve bërthamore. Punojnë për rreth 20 vite dhe janë afër të bëhen fuqi bërthamore”, deklaroi drejtori i CIA-s, Pompeo.

Lidhur me pyetjen nëse Koreja e Veriut do të sulmojë në një kohë të afërt SHBA-në apo jo, Pompeo u përgjigj: “SHBA-të nuk janë në një situatë që kërkon përfshirjen në luftë bërthamore me Korenë e Veriut. Ne nuk posedojmë një informacion të tillë të inteligjencës”.

Duke folur me lëvdata lidhur me punën diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump kundër qeverisë së Phenianit, Pompeo thotë se si rezultat i punës së administratës së Trumpit Koreja e Veriut është izoluar edhe më shumë në rajon.

“Tani më edhe Kina thotë se në rajon nuk duhet të ketë armë bërthamore”, thekson Pompeo.

Sa u përket pohimeve se Koreja e Veriut do t’i vazhdojë testimet e armëve bërthamore, drejtori i CIA-s Pompeo shtoi se ky vend në çdo testim krijon përvojë.

Gjenerali i lartë amerikan Dunford shkon në gadishullin korean

Gjenerali i lartë amerikan ka mbërritur në gadishullin Korean mes kërcënimeve të pashembullta midis Uashingtonit dhe Phenianit dhe ndërsa manovrat ushtarake vjetore midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut rrezikojnë të rrisin tensionet.

Duke folur për gazetarët rrugës për në Kore, gjenerali Joe Dunford, shef i shtatmadhorisë amerikane, tha se fokusi kryesor i ushtrisë është të mbështesë fushatën diplomatike dhe ekonomike të administratës, për ta bërë gadishullin Korean pa armë bërthamore, ndërkohë që përgatit opsionet ushtarake, nëse kjo fushatë dështon.

Ai tha se vizita e tij në rajon këtë javë synon të sigurojë aleatët si Koreja e Jugut dhe Japonia, ndërkohë që ndërton marrëdhëniet ushtarake me Kinën, në mënyrë që të parandalohen rreziqet.

“Ne të gjithë kërkojmë të dalim nga kjo situatë pa luftë, një botë ku Pheniani zotëron armë bërthamore që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre rajonalë; kjo është e papranueshme. Si udhëheqës ushtarak, mua më duhet të siguroj se presidenti të ketë opsione ushtarake praktike, në rast se fushata e presionit diplomatik dhe ekonomik dështon,” tha gjenerali Dunford.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me idenë se blerja e armëve bërthamore nga Pheniani është një opsion i papranueshëm. Richard Bush, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën China John L. Thornton të Institutit Brookings, thotë se administrata Trump ka bërë gabim të madh, duke përcaktuar se zotërimi i armëve bërthamore të Koresë së Veriut, të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara, është diçka për t’u luftuar.

“Rreziku ose fokusi më i madh duhet të jetë sigurimi që Koreja e Veriut nuk i përdor këto aftësi”, – tha Richard Bush për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Dunford arriti në bazën ajrore Osan në Korenë e Jugut të dielën vonë. Ai ka në plan të takohet me Presidentin Moon Jae-In dhe homologun e tij ushtarak të Koresë së Jugut të hënën, përpara se të udhëtojë për në Kinë dhe Japoni më vonë gjatë javës.

SHBA: Nisin hetimet për vdekjen në tubimin e supremacistëve

Në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja, Seksioni i të Drejtave Civile pranë Departamentit të Drejtësisë dhe Zyra e Prokurorit kanë hapur një hetim për të drejtat civile lidhur me goditjen e turmës me makinë gjatë një proteste kundër një demonstrate të nacionalistëve të bardhë në Sharlotsvil të Virxhinias.

Incidenti me makinë shkaktoi një të vdekur.

Guvernatori i Virxhinias u tha të shtunën supremacistëve të bardhë që ishin mbledhur në Sharlotsvil për të protestuar kundër heqjes së një statuje të Konfederatës, të “shkonin në shtëpi”, pas incidenteve të dhunshme.

Përveç një gruaje të vrarë nga makina që goditi turmën, dy persona të tjerë gjetën vdekjen nga përplasja e një helikopteri, incident që policia tha se kishte lidhje me tubimin e protestës.

Guvernatori Terry McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Sharlotsvil pas shpërthimit të përleshjeve mes nacionalistëve të bardhë, që mbanin mburoja, dhe anti-protestuesve që po ashtu ishin të pajisur me mjete mbrojtëse.

Guvernatori i Virxhinias: 3 vdekje të shkaktuara nga tubimi i supremacistëve të bardhë

“Kam një mesazh për të gjithë supremacistët e bardhë dhe nazistët që erdhën sot në Sharlotsvil. Mesazhi ynë është i qartë dhe i thjeshtë: Shkoni në shtëpi”, tha zoti McAuliffe në një konferencë shtypi. “Ju nuk jeni të dëshiruar në këtë shtet. Të keni turp,” tha ai.

Nëpërmjet Twitterit, guvernatori McAuliffe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme “për të ndihmuar reagimin e autoriteteve shtetërore ndaj dhunës në tubimin e së djathtës alternativë në Sharlotsvil.”

“Aktet dhe retorika në Sharlotsvil gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë,” tha ai në Tweeter.

‘Demonstrim skandaloz’​

Presidenti Donald Trump, duke folur të shtunën vonë nga Nju Xhersi, dënoi “demonstrimin skandaloz të urrejtjes, fanatizmit dhe dhunës nga të gjitha palët,” në Sharlotsvil.

Zoti Trump, i cili po përgatitej të nënshkruante një projekt-ligj për të zgjeruar programin e kujdesit shëndetësor për veteranët, bëri thirrje për “rivendosjen e shpejtë të rendit dhe ligjit” në qytet, duke shtuar se “asnjë qytetar nuk duhet të ketë kurrë frikë për sigurinë e tij.”

Pas nënshkrimit të projektligjit, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Një gazetar kërkoi që ai të shpjegonte se çfarë nënkuptonte me fjalët “nga të gjitha palët”.

Menjëherë pas anulimit të tubimit në Charlottesville, një makinë u përplas në turmën e njerëzve në rrugë, ndërkohë që ata po largoheshin. Makina hyri në turmë me shpejtësi dhe një video tregon se si një person i goditur fluturoi në ajër nga përplasja.

Një anti-demonstrues në tubimin e së shtunës

Një 32-vjeçare humbi jetën dhe mbi 20 njerëz u plagosën.

Policia tha se kishte arrestuar shoferin e makinës, duke e identifikuar atë më vonë si James Alex Fields Jr, 20 vjeç nga Ohajo. Fields po mbahet si i dyshuar për vrasje të shkallës së dytë.

Gazeta “Toledo Blade” e Ohajos ia dha e para lajmin nënës së 20-vjeçarit, Samantha Bloom, e cili tha se nuk ishte kontaktuar nga autoritetet. Ajo tha se i biri i kishte thënë se po shkonte në një tubim të së djathtës në Virxhinia por pa i treguar hollësi për natyrën ekstremiste të tubimit.

“Mendova se kishte të bënte me zotin Trump”, i tha ajo gazetës. Ajo tha se ajo dhe djali i saj kishin lëvizur në Ohio rreth një vit më parë nga Florence e Kentakit.

Kryebashkiaku i qytetit Sharlotsvil Michael Signer tha në Twitter se ishte “i trishtuar” në lidhje me vdekjen dhe u bëri thirrje të gjithë atyre që ende ndodheshin në vendin e protestës të shkonin në shtëpi.

Disa orë më vonë, policia e shtetit Virxhinia njoftoi se një nga helikopterët e saj ishte rrëzuar në një zonë të pyllëzuar jashtë qytetit, duke lënë të vrarë dy policë.

Shpërthimi i dhunës pas përplasjes së supremacistëve të bardhë me anti-demonstruesit

Demonstratë e dhunshme

Incidenti me makinë ndodhi kur njerëzit po largoheshin nga zona pasi policia e kishte shpallur demonstrimin të paligjshëm; gjatë tubimit, mes demonstruesve dhe anti-demonstruesve pati incidente të shpeshta dhune.

Qindra protestues nga të dyja palët morën pjesë në përplasjet e së shtunës; njerëzit qëllonin me grushta dhe hidhnin shishe me ujë e sende të tjera. Policia përdori gaz lotsjellës për të ndarë palët.

Tubimi në Universitetin e Virxhinias me temë “Të bashkojmë të djathtën”, bëri që zoti McAuliffe të paralajmëronte njerëzit qysh më parë që të qëndronin larg nga kampusi.

Të premten natën, nacionalistët e bardhë organizuan një demonstratë të cilën e quajtën pro të bardhëve. Ata marshuan me pishtarë në duar nëpër kampusin universitar dhe u mblodhën rreth statujës së gjeneralit Robert E. Lee, hero i Konfederatës gjatë Luftës Civile. Ata hidhnin parulla të tilla si: “Jetët e të bardhëve kanë rëndësi,” si reagim ndaj organizatës “Jetët e zezakëve kanë rëndësi” e cila u krijua pas disa vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga ana e policisë.

Në muajin prill, qyteti Sharlotsvil votoi për ta hequr statujën, një masë që po merret nga shumë qytete amerikane kundër përmendoreve të tilla të Konfederatës që i përkasin epokës së luftës civile. Që nga ajo kohë, qyteti Sharlotsvil ka qenë në shënjestër e nacionalistëve të bardhë.

Policia nën statujën e gjeneralit Robert E. Lee

Kritikat

Presidenti Trump u kritikua nga anëtarët e të dy partive politike pasi nuk specifikoi nacionalistët e bardhë në komentet e tij.

“Ne duhet ta quajmë të keqen me emrin që ka. Vëllai im nuk e dha jetën më kot në luftë kundër ideve të Hitlerit që idetë naziste të kalojnë pa u ndëshkuar këtu në vendion tonë,” komentoi në Twitter Senatori Orrin Hatch, republikan nga shteti Juta.

Nacionalistët e bardhë në kampusin e universitetit të premten mbrëma

Mes supremacistëve të bardhë në tubimin e së shtunës ishin udhëheqësi i së djathtës alternative Richard Spencer dhe ish-anëtari i Ku Klux Klanit David Duke.

Duke tha se tubimi “përfaqëson një pikë kthese për popullin e këtij vendi.”

“Ne jemi të vendosur ta marrim përsëri vendin në duart tona. Ne do të përmbushim premtimet e Donald Trumpit,” shtoi ai.

Virginia City Rocked by White Nationalist Protests

Kryebashkiaku Signer tha se ai ia hidhte fajin zotit Trump për nxitjen e paragjykimeve racore gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

“Nuk kam ndërmend t’i zbus fjalët. Për shumë nga ato që po shohim sot në Amerikë unë ia hedh fajin Shtëpisë së Bardhë dhe njerëzve që rrethojnë presidentin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Protesta të dhunshme në Virxhinia

Në Virxhinia po zhvillohen protesta të dhunshme të supremacistëve të bardhë, të cilëtu u përleshën me kundërprotestues në rrugët përreth një parku, ku po mbahej një miting.

Videot e marra gjatë incidenteve të ndryshme, paraqesin demonstrues me mburoja, duke u përleshur me protesuesit e palës kundështare, po ashtu të pajisur me mburoja, ndërsa marshonin në qytetin e Sharlotsvillit.

Guvernatori i Virxhinias Terry McAuliffe tha në Twitter se kishte deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme “për t’i ardhur në ndihmë shtetit, që t’i përgjigjet dhunës që ndodhi në një miting të ekstremit të djathtë në Sharlotsville”.

“Aktet e retorikës në Sharlotsville gjatë 24 orëve të fundit janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund. E drejta e fjalës nuk është e drejtë për dhunë” – shkruante guvernatori i Virxhinias.

Protestat filluan mbrëmë në Universitetin e Virxhinias. Ato u bënë të dhunshme dhe e detyruan guvernatoin e shtetit t’i paralajmëronte njerëzit të largohen nga kampusi i Universitetit. Protesuesit mbanin në duar pishtarë dhe thërrisnin “jeta e të bardhëve është e rëndësishme’, një shprehje që të kujton thirrjet në protestat kundër racizimit dhe diskriminimit të afrikano-amerikanëve.

Në protestat që po mbahen sot me temën “Bashkohuhi për të drejtat”, thuhet se po marrin pjesë 2 mijë deri në 6 mijë vetë.

Protestat po organizohen pas zemërimit që ngjalli një plan për heqjen e një statuje të gjeneralit të periudhës së Luftës Civile Amerikane, Robert E. Lee, i cili ishte komandant i ushtrisë së Konfederatës së Virginias Veriore në vitet 1862 deri në 1865.

Trumpi: Udhëheqësi koreanoverior do të pendohet shpejt

Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat.

Në komentet e bëra të premten pasdite në Bedminster të Nju Xhersit, Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.

Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un.

Më herët të premten, Presidenti komentoi në Twitter se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

NJë ditë më parë ai tha se mesazhi i tij për udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, mund të mos kishte qënë i fuqishëm sa duhet.

“Ajo që kanë bërë dhe që janë lejuar të bëjnë është tragjedi dhe nuk mund të lejohet.”

Zoti Trump iu përgjigj njoftimeve të Koresë së Veriut se ajo ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam. Guami është strehë e një baze ajrore dhe e një instalimi detar amerikan me një personale ushtarak prej 7 mijë vetësh.

“Të shohim çdo të bëjë me Guamin. Nëse bën diçka, ajo që do t’i ndodhë Koresë së Veriut, do të jetë një ngjarje që askush nuk e ka parë ndonjëherë.”

Shumë analistë, i kanë kritikuar deklaratat e presidentit Trump.

“Mendoj se gjuha e Presidentit Trump ishte acaruese. Është e njëjta gjuhë zjarrvënëse që jemi mësuar të dëgjojmë nga koreanoveriorët,” tha John DeLury i Universitetit Yonsei të Koresë së Jugut.

Por presidenti Trump thotë se diplomacia nuk ka funksionuar me Kim Jong Unin apo të atin e tij:

“Ata kanë negociuar për 25 vjet. Clinton bëri negociata. Ai ishte i dobët dhe i paefektshëm. Çfarë ndodhi me presidentin Bush, çfarë ndodhi me Obamën? Obama as që donte të fliste për këtë.”

Presidenti nuk pranoi të specifikonte se cila do të jetë përgjigja e Shteteve të Bashkuara. Por në një konferencë për shtyp, ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë modernizuar arsenalin e tyre bërthamor për të siguruar që Amerika mbetet vendi më i fuqishëm bërthamor në botë. Ai tha gjithashtu se do të investohen miliarda dollarë për të rritur sistemin e mbrojtjes nga raketat dhe për të modernizuar më tej ushtrinë amerikane:

“Askush, përfshi Korenë e Veriut, nuk do të na kërcënojë ne për asgjë.”

Ekspertët ushtarakë kanë thënë se Shtetet e Bashkuara janë të afta të asgjësojnë ushtarakisht Korenë e Veriut por me një kosto të madhe njerëzore. Një sulm bërthamor mbi atë vend, do të vriste miliona koreanoveriorë dhe do të dëmtonte fqinjët e Phenianit. Sulmi do të armiqësonte gjithashtu Kinën.

Zoti Trump tha gjithashtu se armët bërthamore janë kërcënimi më i madh në botë dhe do të donte eliminimin e tyre.

“Do të doja që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, Pakistani dhe shumë vende të tjera që kanë armë bërthamore t’i eliminonin ato.”

Por derisa ta bëjnë këtë, presidenti Trump premtoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë vendi bërthamor më i fuqishëm në botë.

Trumpi: Zgjidhjet ushtarake tani janë gati

Presidenti Trump bëri sot një kërcënim të ri kundër Koresë së Veriut, duke shkruar në Twitter se “zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati,” nëse regjimi i Kim Jong Un-it “bën veprime të pamatura”.

“Shpresojmë se Kim Jong Un do të gjejë një rrugë tjetër!” shkruan Presidenti Trump në komentet e tij, duke iu referuar zhvillimit të armëve bërthamore nga Koreja e Veriut megjithë shtimin e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Penianit.

Deklarata e re vjen një ditë pas paralajmërimit të bërë të enjten nga Presidenti ndaj Koresë së Veriut, kur tha se “atyre do t’u ndodhin gjëra që ata nuk i kanë menduar kurrë si diçka të mundur,” nëse sulmojnë Shtetet e Bashkuara ose aleatët e tyre.

Presidenti Trump u tha gjithashtu gazetarëve se kërcënimi i tij i mëparshëm “për zjarr dhe furi” mund të mos ketë qenë “mjaft i fortë”.

Ai tha dje se Koreja e Veriut “duhet të sillet mirë, përndryshe do të ketë probleme sikurse disa vende të tjera”.

Presidenti i bëri komentet ndërsa pushon në klubin e golfit të tij në New Jersey.

Më herët gjatë kësaj jave ai tha se Koreja e Veriut do të përballet me zjarr dhe furi që bota nuk e ka njohur ndonjëherë.

Koreja e Veriut ka njoftuar se po finalizon një plan për të hedhur katër raketa balistike pranë brigjeve të territorit amerikan të Guamit në Paqësor, një provokim i ri në retorikat mes Phenianit dhe Uashingtonit.

Ushtria Popullore e Koresë së Veriut bëri publike hollësi të reja për një goditje me raketa ndaj Guamit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, raketat që planifikohen të lëshohen pritet të jenë me rreze të mesme veprimi. Ato do të kalojnë mbi Japoni dhe janë planifikuar të bien 30 deri 40 kilometra nga Guami, i cili ndodhet 3 mijë kilometra në juglindje të Gadishullit Korean.

Plani, që sipas ushtrisë do t’i paraqitet udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në mes të muajit gusht, ndryshon prej kërcënimeve të mëparshme ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përshkruhet si një operacion shumë specifik.

Në Guam jetojnë 163 mijë qytetarë amerikanë si dhe janë të vendosura një bazë ushtarake amerikane që përfshin dhe një njësi operacionele nëndetësesh, një bazë ajrore dhe një Roje Bregdetare.

Paralajmërimin e presidentit Trump këtë javë se Pheniani do të përballej me “zjarr dhe furi” nëse kërcënon përsëri Shtetet e Bashkuara, ushtria e Koresë së Veriut e cilësoi “tërësisht të pakuptimtë”.

Në komentin e saj agjensia e lajmeve KCNA tha për presidentin Trump se “dialogu me një person të tillë, të cilit i mungon arsyeja tingëllon i pamundur dhe se vetëm forca e pakufizuar mund të funksionojë mbi të.”

Ndërkaq, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, ka reaguar i përmbajtur lidhur rrezikun në rritje bërthamor që paraqet Koreja e Veriut dhe në veçanti mbi paralajmërimet e presidentit Trump.

Trumpi: Irani po shkel “shpirtin” e marrëveshjes së “tmerrshme”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, e ka përsëritur edhe një herë se Irani nuk është “duke iu përmbajtur shpirtit” të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, duke e cilësuar atë si “marrëveshje të tmerrshme”.

“Nuk mendoj se janë duke iu përmbajtur shpirtit të marrëveshjes”, u ka thënë Trump, gazetarëve në Nju Xhërsi, ku është duke kaluar pushimet.

“Unë personalisht nuk besoj se po veprojnë në përputhje me marrëveshjen, mirëpo kemi kohë, do ta shohim. Mendoj se do të shihni zbatimin e gjërave shumë të fuqishme, nëse ata nuk veprojnë në pajtim me paktin”, ka shtuar tutje ai.

Sipas kësaj marrëveshje, Iranit i janë lehtësuar sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor.

Agjencitë për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në kuadër të OKB-së dhe SHBA-së, kanë thënë se Irani ka respektuar marrëveshjen.

Mirëpo liderët amerikanë vazhdojnë ta akuzojnë këtë vend për “shkelje të shpirtit të marrëveshjes”, duke iu referuar lëshimit të raketave balistike, me kapacitet për të bartur koka bërthamore.

Ndonëse SHBA e ka sanksionuar për këto programe, Irani vazhdon të mbrojë aktivitetet, duke thënë se janë për qëllime të vetëmbrojtjes.

Trumpi, thirrje për largimin e udhëheqësit republikan të Senatit

Presidenti Donald Trump la të kuptohet se kreu i republikanëve të Senatit duhet të largohet nëse nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e axhendës legjislative të Shtëpisë së Bardhë.

“Ju mund të bëni pyetjen nëse udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell duhet të mbetet apo jo në postin e tanishëm, nëse ai nuk është në gjendje të sigurojë miratimin e një plani për të shfuqizuar dhe zëvendësuar ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor, për të ndryshuar kodin e taksave dhe për të kaluar një propozim mbi infrastrukturën,” tha zoti Trump.

Presidenti i bëri komentet për gazetarët gjatë një udhëtimi 17-ditor në Nju Xhersi dhe Nju Jork, ku ai zotëron disa shtëpi banimi.

Presidenti Trump ka disa ditë që vazhdon ta kritikojë në Twitter senatorin McConnell, i cili ka një rol të rëndësishëm në avancimin e programit legjislativ të presidentit.

Nëpërmjet një mesazhi të enjten, i dyti në më pak se 24 orë, zoti Trump sulmoi zotin McConnell, pasi sipas tij ai nuk po nxit futjen e projektligjit për kujdesin shëndetësor në rendin e ditës të Senatit.

Në një tjetër koment në Twitter të mërkurën, zoti Trump e kritikonte senatorin McConnell lidhur me deklarat më të fundit të tij, sipas të cilave përvoja e shkurtër politike e presidentit kontribuoi në shanset e ulta për kryerjen e reformës në shëndetsi.

Presidenti ynë i ri, natyrisht që nuk ka qënë më parë në këtë lloj pune. Mendoj se ai kishte pritshmëri të tepruar se sa shpejt ndodhin gjërat në procesin demokratik“, u tha të hënën zoti McConnell zgjedhësve në shtetin e tij Kentaki.

Pasi tre variante republikane për të shfuqizuar ligjin e kujdesit shëndetësor të vendit dështuan në fund të muajit korrik, senatorët republikanë thanë se tashmë do të përqendrohen në të tjera çështje prioritare të përbashkëta, siç janë reforma e taksave dhe buxheti federal.

Por zoti Trump nuk ka hequr dorë nga çështja e kujdesit shëndetësor dhe vazhdon të sulmojë zotin McConnell, udhëheqës që gëzon popullaritet mes republikanëve të Senatit.

Sulmet janë një qasje e rrezikshme duke marrë parasysh vlerësimet e ulta që gëzon zoti Trump për punën e tij, nga mbështetësit e tij më të zjarrtë.

Një numër sondazhet të zhvilluara së fundmi tregojnë se numri i votuesve që dikur e mbështesnin me forcë presidentin, ka rënë.

SHBA: Bota mbështet përpjekjet për të vënë nën kontroll Phenianin

Shtetet e Bashkuara thonë se shumë vende të tjera i mbështesin përpjekjet e tyre për t’u bërë presion udhëheqësve të Koresë së Veriut që të heqin dorë nga programi i armëve bërthamore. Shkëmbimet e replikave mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un këtë javë kanë shtuar shqetësimet se mund të ketë një përplasje ushtarake që do të destabilizonte gadishullin korean.

Departamenti amerikan i Shtetit i doli dje në mbrojtje zotimit të Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen “me zjarr dhe furi” ndaj kërcënimit koreano-verior se mund të godasë ishullin e Guamit që bën pjesë në komunuelthin amerikan dhe ku ndodhen dy baza strategjike amerikane.

“Së pari të analizojmë cilat janë zhvillimet alarmante. Ka pasur dy prova me raketa balisitike ndërkontinentale brenda një muaji, dy prova bërthamore gjatë vitit të kaluar. Në fakt, në Kinë u regjistrua një tërmet dhe shumë prej jush më dërguan emaile me pyetjen “Mos ishte një tjetër provë bërthamore?” Kjo tregon sa serioze është situata aktuale,” tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Zëdhënësja Heather Nauert tha se provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kërcënim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, jo vetëm Shtetet e Bashkuara.

Qeveria franceze vlerësoi dje përgjigjen e prerë që i dha Presidenti Trump kërcënimit koreano-verior ndaj territorit amerikan, por bëri thirrje për një zgjidhje paqësore.

Christophe castaner, zëdhënës i qeverisë franceze

“Franca është e gatshme ta përdorë influencën e saj për të gjetur një zgjidhje paqësore, pasi rreziku është real. Vendosmëria që dëshmoi presidenti amerikan me përgjigjen e tij është e njëjtë me atë që do të kishte treguar çdo president tjetër amerikan, pasi është e papranueshme që një pjesë e territorit të jetë nën kërcënimin e sulmeve me raketa balistike,” tha zëdhënësi i qeverisë franceze.

Japonia tha se avionët e saj luftarakë dhe bombarduesit supersonikë amerikanë kishin kryer dje manovra të përbashkëta mbi qiejt pranë gadishullit korean.

Acarimi i situatës ka zgjuar shqetësime mes koreano-jugorëve:

“Duke qenë se së shpejti do të filloj shërbimin ushtarak dhe është shumë e mundur që kur të jem në radhët e ushtrisë do të duhet të përballem me këtë kërcënim, e shoh si shumë të frikshëm,” thotë një burrë.

“I dashuri im është ushtar, po shërben për mbrojtjen e vendit. Jam shumë e shqetësuar pasi kam një njeri të afërt që mund të ndikohet nga kjo situatë. Po ashtu si shtetase, sa herë shoh lajmet shqetësohem,” thotë një koreano-jugore.

Rusia ka bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike për uljen e tensioneve. Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha gjatë udhëtimit për në Guam tha se udhëheqësi koreano-verior nuk duket se e kupton gjuhën e diplomacisë.

E dini se emigrantët shqiptarë themeluan xhaminë e parë në Amerikë?

Në rubrikën “Foto e Ditës”, Ambasada Amerikane ka sjellë një kuriozitet mbi historinë e shqiptarëve në Amerikë duke ngritur një pyetje për ndjekësit e saj në Facebook.

“Fabrikat Peppermell në qytetin e Biddeford, Maine. E dini se në 1915, myslimanët në Biddeford të Maine themeluan xhaminë e parë në Amerikë? Pjesa më e madhe e tyre ishin familje që punonin në fabrikat Pepermell. A e gjeni dot se nga cili vend i Europës vinin ata emigrantë?”, shkruan ambasada amerikane në Facebook duke postuar dhe foton më poshtë.

Përgjigjen po e japim ne.

Kanë qenë pikërisht emigrantët shqiptarë që themeluan xhaminë e parë në Amerikë.

Në vitet 1900 në Amerikë shqiptarët nisën të themelonin një sërë shoqërish patriotike.

Një ndër to ishte edhe “Shoqëria Muhemedane Kombëtare”, e njohur edhe si Shoqëria Fetare Muhamedane Shqiptare.

Kjo organizatë fetare dhe patriotike e myslimanëve shqiptarë, u themelua më 11 prill 1915, në qytetin Biddeford, Maine, SHBA.

Po në vitin 1915, në Maine u ndërtua xhamia e parë nga shqiptarët në SHBA, kurse në vitin 1919 në Connecticut u ndërtua xhamia e dytë.

SHBA: “E pavend” vizita e Putinit në Abkazi

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Abkazi

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar vizitën e presidentit rus, Vladimir Putin në rajonin e shkëputur të Gjeorgjisë, Abkazi.

Sipas SHBA-së, një vizitë e tillë, e cila ka pasur qëllim shfaqjen e mbështetjes për separatistët në atë zonë, është cilësuar si e “pavend”.

Gjatë vitit 2008, Rusia dhe Gjeorgjia nisën një luftë të shkurtër, rajon të cilin e vizitoi Putin më 8 gusht, për të shënuar përvjetorin e fillimit të luftimeve.

Pas nisjes së konflikteve më 2008, Gjeorgjia dhe Rusia i kanë shkëputur marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe Moska e ka njohur Abkazinë dhe rajonin tjetër të shkëputur nga Gjeorgjia, Osetinë Jugore, si shtete të pavarura.

Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Abkazi dhe Osetinë Jugore, fakt të cilin Gjeorgjia e konsideron si okupim.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, ka ofruar mbështetje të plotë amerikane për Gjeorgjinë, gjatë një udhëtimi i cili ka përfshirë edhe Tbilisin.

Departamenti i SHBA-së e ka përsëritur mbështetjen për këtë vend, derisa Putini nisi vizitën në Abkazi.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Rusisë, të tërheqë forcat e saj nga pozicionet paraluftarake të vitit 2008 dhe të kthejë mbrapa njohjet si shtete për Gjergjinë dhe Osetinë Jugore”, ka thënë ky department, përmes një deklarate.

Trumpi i përgjigjet kërcënimit të Koresë së Veriut

Presidenti Trump tha të martën se “Koreja e Veriut do të bënte mirë të mos ndërmerrte më kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara. Ata do të hasnin në një zjarr dhe furi të tillë, që bota nuk e ka parë ndonjëherë.”

Duke iu refereruar udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Il, Presidenti Trump tha: “Ai është treguar tepër kërcënues, përtej një deklarate normale, dhe siç thashë, ata do të hasin në zjarr dhe furi, sinqerisht me një fuqi që kjo botë nuk e ka parë kurrë më parë.”

Presidenti i bëri komentet si reagim ndaj një njoftimi të gazetës “Washington Post” dhe televizionit NBC News, ku thuhej se zyrtarët amerikanë të zbulimit vlerësojnë që Koreja e Veriut ka prodhuar me sukses një mbushje bërthamore në përmasa të vogla, e cila mund të montohet në raketat e saj.

Nëse është e vërtetë, kjo nënkupton se Koreja e Veriut ka kaluar një prag të rëndësishëm në rrugën për t’u bërë një fuqi e plotë bërthamore.

Mediat, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të zbulimit, thonë se analiza që arrin në një përfundim të tillë, është kryer muajin e kaluar nga Agjencia e Zbulimit të Mbrojtjes.

Zyrtarët e Agjencisë nuk pranuan të komentojnë. As zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar nuk ka komentuar.

Ndërkaq, ministria e mbrojtjes e Japonisë vlerësoi në një raport të martën se është e mundur që Koreja e Veriut të ketë arritur miniaturizimin e armëve bërthamore dhe të ketë prodhuar mbushje bërthamore.

TRUMP: DUHET TË JEMI MË TË ASHPËR NDAJ PHENIANIT

Presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e tij në Kombet e Bashkuara thonë se sanksionet e reja kundër Koresë së Veriut janë të domosdoshme për të ndalur programin bërthamor të këtij vendi.

Në një koment në Twitter zoti Trump shkruante sot se: “pas shumë vitesh dështimi, vendet janë bërë bashkë për t’iu përgjigjur përfundimisht rreziqeve që paraqet Koreja e Veriut. Ne duhet të jemi të ashpër dhe vendimtarë,”shkruante presidenti amerikan.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Nikki Haley tha gjatë një interviste për rrjetin NBC se nuk është e sigurt nëse sanksionet do të funksionojnë. Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, nuk ka shprehur interes për t’u larguar nga programi bërthamor dhe balistik dhe vendi i ka mbijetuar sanksioneve të vendosuara në të shkuarën.

Por ambasadorja Haley thotë se sanksionet e detyrojnë Kim Jung Unin të rishikojë “strategjinë e tij dhe të vendosë, duke i bërë pyetjen vetes, se nëse godet Shtetet e Bashkuara, a mendon se do të fitojë? .

Trumpi riposton një lajm të bazuar në burime anonime të zbulimit

Presidenti amerikan Donald Trump, ka sulmuar ata që rrjedhin dokumente të zbulimit nga Shtëpia e Bardhë, por të martën ishte ai që u dërgoi një lajm miliona ndjekësve në llogarinë e tij në median sociale, rreth raketave të Koresë së Veriut, që bazohej në burime anonime amerikane të zbulimit.

Duke dashur të theksojë rreziqet që paraqesin provat me raketa të Koresë së Veriut dhe programi i saj i armëve bërthamore, zoti Trump përdori llogarinë e tij në Twitter për të ripostuar një lajm të rrjetit “Fox News”. Sipas lajmit, disa ditë më parë agjencitë amerikane të spiunazhit kishin zbuluar se Pheniani kishte ngarkuar në një anije patrullimi dy raketa kundër anijeve.

“Fox” citonte për lajmin “zyrtarë në dijeni të informacioneve më të fundit të zbulimit në rajon”, ndonëse nuk dihej nëse informacioni ishte klasifikuar si sekret. Sipas rrjetit “Fox News” lidhur me lajmin po citohej “një zyrtar që kërkoi t’i ruhej anonimiteti pasi fjala ishte për informacione të ndjeshme”.

Shtëpia e Bardhë nuk bëri komentoi se përse zoti Trump e ripostoi në Twitter lajmin e shfaqur në programin “Fox & Friends”, të cilën ai e ndjek shpesh në mëngjes herët.

Që në ditët e para të tij në Shtëpinë e Bardhë presidenti Trump është ankuar shpesh për rrjedhjet e informacionit të klasifikuar nga agjencitë qeveritare, veçanërisht për lajmet që bazohen në informacion që ka rrjedhur dhe që ka hedhur hije mbi administratën e tij. Ai ka kërkuar që ata që e nxjerrin informacionin “të gjenden dhe ndiqen penalisht”.

Muajin e kaluar zoti Trump kritikoi prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions, si “shumë të dobët” lidhur me “rredhjen në media të informacionit të zbulimit”.

Por kur javën e kaluar prokurori i përgjithshëm njoftoi se Departamenti i Drejtësisë kishte rritur numrin e hetimeve lidhur me këtë çështje, presidenti Trump shkroi në Twitter: “pas shumë vitesh rrjedhje të informacionit në Uashington është mirë të shohësh prokurorin e përgjithshëm të ndërmarrë veprime. Sa më të ashpër, aq më mirë” shkruante ai.

SHBA, pas 16 vitesh vërtetohet identiteti i viktimës së sulmeve të 11 shtatorit

Bëhet fjalë për identifikimin e parë me sukses që nga viti 2015

NEW YORK – Pas 16 vitesh është vërtetuar identiteti i personit që humbi jetën në sulmet terroriste të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, të kryera më 11 shtator të vitit 2001.

Në njoftimin e Kabinetit për mjekësi gjyqësore në Nju Jork theksohet se me teknologjinë e re të analizave AND është vërtetuar se bëhet fjalë për një burrë, por me kërkesë të familjarëve të tij identiteti i tij nuk do të ndahet me opinionin.

Bëhet fjalë për identifikimin e parë me sukses që nga viti 2015.

Numri i viktimave të identifikuar të sulmit të kryer më 11 shtator rritet në 1.641.

Pjesëtarët e Al-Kaedës më 11 shtator të vitit 2001 në orët e mëngjesit kryen sulme terroriste në Nju Jork dhe Uashington me katër avionë të rrëmbyer pasagjerësh në fluturimet transkontinentale në brigjet lindore dhe perëndimore të SHBA-ve.

Dy avionë goditën kullat e Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, i treti në Pentagon, ndërsa i katërti u rrëzua në Somerset County në Pennsylvania. aa

Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë fabrikë në SHBA

Presidenti amerikan Trump tha se kompanitë japoneze për prodhimin e automjeteve Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë prodhimi në vlerë prej 1,6 miliardë dollarësh

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump bëri të ditur se kompanitë japoneze për prodhimin e automjeteve Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë prodhimi në vlerë prej 1,6 miliardë dollarësh.

Në një publikim në llogarinë e tij në rrjetet sociale Trump njoftoi se Toyota dhe Mazda kanë vendosur që të ndërtojnë një fabrikë të përbashkët në SHBA.

“Toyota dhe Mazda do të ndërtojnë një fabrikë të re në SHBA prej 1,6 miliardë dollarësh dhe do të ofrojë punësim për 4 mijë amerikanë. Ky është një investim i madh për industrinë amerikane”, ka shkruar Trump, duke rikujtuar se në të njëjtën kohë edhe kompania teknologjike e Tajvanit ‘Foxconn’ do të bëjë investim në fabrikë prej 10 miliardë dollarësh.

Trump në një aktivitet të organizuar javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë njoftoi se kompania Foxconn, një nga furnizuesit kryesor të së cilës është gjiganti i teknologjisë Apple, planifikon të hapë fabrikë në provincën Wisconsin.

Fillimi i aktiviteteve planifikohet të bëhet në vitin 2021

Në një deklaratë të përbashkët nga Toyota dhe Mazda lidhur me çështjen, thuhet se fabrika e cila do të ketë kapacitetin e prodhimit të 300 mijë automjeteve në vit, do të ofrojë vende pune për 4 mijë persona.

Në deklaratë po ashtu bëhet e ditur se kjo fabrikë pritet të fillojë punën në vititn 2021, ku për tregun amerikan Mazda pritet të prodhojë automjetet e reja Crossover, kurse Toyota ta prodhojë modelin Corolla. AA

Shpërthim në një qendër myslimane në Minnesota

qendra myslimane në Minnesota

Një shpërthim ka dëmtuar një qendër myslimane në shtetin amerikan Minnesota.

Nuk është përcaktuar ende shkaku i shpërthimit, por menaxheri i xhamisë në qytetin Bloomington, Mohamed Omar, i tha Zërit të Amerikës se shpërthimi ishte një sulm, autori i të cilit dyshon se është një burrë që u pikas nga një besimtar në afërsi të xhamisë në kohën e shpërthimit.

Një paisje shpërthyese u hodh përmes dritares së zyrës ku zakonisht punon imami i xhamisë. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur rreth 20 besimtarë po kryenin faljen e mëngjesit.

Zoti Omar tha gjithashtu se qendra e tyre ka marrë telefonata kërcënuese në të kaluarën.

Pentagoni rekomandon dërgim të armatimit vdekjeprurës në Ukrainë

Pamje e një tanku amerikan

Departamenti amerikan i mbrojtjes ka rekomanduar dërgim të pakos së armatimit vdekjeprurës, që do të ishte një ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 50 milionë dollarëve, ka raportuar mbrëmë rrjeti NBC.

Në këtë raport janë cituar tre zyrtarë të paemëruar, të cilët kanë thënë se rekomandimi është dërguar në Shtëpinë e Badhë për shqyrtim.

Një zëdhënës i Pentagonit ka refuzuar ta konfirmojë raportin, por i ka thënë NBC-së se “ne nuk kemi përjashtuar asgjë”.

Rusia e ka aneksuar rajonin Krime në Ukrainë në fillim të vitit 2014 dhe u ka dhënë ndihmë të fuqishme ushtarake, ekonomike dhe politike, militantëve separatistë në pjesën lindore të Ukrainës.

Gjatë vizitës në Kiev, muajin e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vlerësuar se Rusia i ka “mijëra” trupa në tokën ukrainase.

Megjithqë Rusia i ka hedhur poshtë pohimet për çfarëdo involvimi ushtarak në këtë konflikt, Gjykata Penale Ndërkombëtare në muajin nëntor të vitit të kaluar është shprehur se lufta atje është “një konflikt i armatosur ndërkombëtar ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse”.

Senati bllokon Presidentin Trump të bëjë emërime gjatë gushtit

Senati ka bllokuar presidentin Donald Trump të bëjë emërime, ndërsa ligjvënësit ndodhen me pushime në muajin gusht.

Senatorët kanë rënë dakord të zbatojnë një masë proceduriale të njohur si “pro forma session”, një seri takimesh të shkurtra, që teknikisht e mbajnë Senatin në punë.

Ata e ndërmorën këtë veprim pas kritikave të kohëve të fundit të presidentit Trump ndaj prokurorit të përgjithshëm Jeff Sessions, që nxiti spekulimet se mund ta shkarkojë atë, ndërsa senatorët ndodhen me pushime.

Zoti Trump është shprehur i pakënaqur me faktin që zoti Sessions hoqi dorë nga hetimi i Departamentit të Drejtësisë për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

Ndihmësit e zotit Sessions i kanë bërë të ditur Shtëpisë së Bardhë, se ai nuk ka ndërmend të largohet nga detyra e tij në Departamentin e Drejtësisë.

Trumpi u drejtohet përkrahësve pas njoftimeve për ngritjen e një jurie të madhe

Prokurori i Posaçëm Robert Mueller

Në një fjalim sfidues që mbajti të enjten vonë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Donald Trump i quajti “krejtësisht të trilluara” njoftimet që flasin për lidhjet e dyshuara të fushatës së tij me Rusinë. Në komentet përpara përkrahësve në Huntington ai tha se trillime të tilla i bëjnë kundërshtarët e tij të ndihen më mirë pas humbjes në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Pak orë përpara fjalimit, gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka organizuar ngritjen e një jurie të madhe, duke zgjeruar dukshëm hetimet e tij lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

“Ata po përpiqen t’ju mashtrojnë dhe t’ju heqin udhëheqjen që ju dëshironi, duke sajuar një histori të rreme,” tha zoti Trump mes brohoritjeve. “Kjo është poshtëruese për të gjithë ne.”

Lidhur me hetimet e zotit Mueller, zoti Trump tha: “Unë thjesht shpresoj që përfundimi që do të arrihet të jetë vërtet i ndershëm”.

Shih: ‘Zërat e dështuar në Uashington janë kundër lëvizjes sonë’, tha Presidenti Trump​

Presidenti shtoi se “ajo që duhet të hetojnë prokurorët janë të 33 mijë e-mailat e fshira nga Hillary Clinton”.

Kandidatja demokrate, Clinton, fitoi votën popullore, por republikani Trump i fitoi zgjedhjet presidenciale duke marrë më shumë vota elektorale.

Serioziteti i çështjes

Presidenti foli përpara mbështetësve në Virxhian Perëndimore pas komenteve të analistëve politikë në media, të cilët theksuan seriozitetin e hapit të ndërmarrë nga Prokurori i Posaçëm Mueller, me ngritjen prej tij të një jurie të madhe në Uashington.

“Nëse zoti Mueller vërtet ka ngritur një juri të madhe, kjo mund të sinjalizojë se ai ka prova të rëndësishme që mund të tregojnë se është kryer një vepër penale,” i tha Zërit të Amerikës profesor Anthony Clark Arend, i Universitetit Georgetown.

Agjencia e lajmeve Reuters njofton se juria e madhe tashmë ka lëshuar urdhër për konfiskim dokumentesh në lidhje me takimin e qershorit 2016 mes një avokateje ruse me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr dhe zyrtarë të tjerë të fushatës.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Donald Trump Jr. në Kullën Trump, 18 janar 2017.

Njoftimet tregojnë se Trump Jr u entuziazmua nga ideja e një takimi të tillë kur avokatja ruse, me anë të një ndërmjetësi, i tha atij se zotëronte dëshmi inkriminuese për kandidaten demokrate Clinton.

Presidenti Donald Trump ka hedhur dyshime rreth akuzave se rusët u përpoqën të ndërhynin në zgjedhje, pavarësisht njoftimeve të zbulimit se Kremlini u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet në favor të kandidatit Trump.

Rusia i ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje dhe zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë. Ai e ka quajtur hetimin e zotit Mueller “një gjueti shtrigash” dhe në Uashington ka patur njoftime se presidenti mund të përpiqet ta shkarkojë prokurorin e posaçëm

Reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Tani që sipas njoftimeve është krijuar një juri e madhe, ajo mund të kërkojë të konfiskojë informacione financiare të familjes Trump. Presidenti e ka paralajmëruar zotin Mueller të qëndrojë larg financave të tij.

Shih: ‘Nuk ka patur rusë në fushatën tonë,’ tha zoti Trump

Televizioni CNN njoftoi të enjten se hetimi i zotit Mueller e ka kaluar vijën e kuqe dhe është zgjeruar duke përfshirë ekzaminimin e “shkeljeve të mundshme financiare, disa prej të cilave nuk kanë lidhje me zgjedhjet e 2016-s”.

Këshilltari i posaçëm i zotit Trump, Ty Cobb, tha se nuk ka dijeni për ndonjë hetim me juri të madhe por theksoi: “Shtëpia e Bardhë favorizon çdo gjë që e shpejton përfundimin e punës së tij në mënyrë të drejtë … Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar të bashkëpunojë plotësisht me z. Mueller”.

Të enjten mbrëma, duke ecur nga helikopteri presidencial për në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti nuk u përgjigj kur u pyet nga VOA nëse zoti Mueller kishte shkelur vijën e kuqe.

Zyra e zotit Mueller nuk ka komentuar rreth njoftimit të gazetës “Wall Street Journal”.

Robert Mueller, ish-drejtor i FBI-së, mori përsipër hetimet për Rusinë, kur Presidenti Trump shkarkoi drejtorin e tij të FBI-së James Comey në muajin maj pasi zoti Comey me sa duket refuzoi kërkesën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimi.

Projektligj për të mbrojtur Prokurorin e Posaçëm

Të enjten, dy senatorë paraqitën një projektligj që e bën të vështirë shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm.

Propozimi i demokratit Chris Coons dhe republikanit Thom Tillis kërkon miratimin e një ligji, ku të përcaktohet se një president mund ta shkarkojë Prokurorin e Posaçëm vetëm për sjellje të pahijshme, konflikt interesi, sëmundje të rëndë apo ndonjë shkak tjetër të fortë.

Sipas projektligjit, një komision prej tre gjyqtarësh do të përcaktonte nëse shkarkimi është i justifikuar.

Projektligji duket se është një përpjekje për të mbrojtur zotin Mueller nga çdo përpjekje e zotit Trump për ta shkarkuar.

Por disa analistë thonë se nëse Presidenti synon ta shkarkojë zotin Mueller, propozimi në fjalë mund ta nxisë zotin Trump që ta bëjë shkarkimin përpara se Senati të ketë rastin për ta hedhur në votë projektligjin.

Hapi tjetër… Trumpi do të përgjysmojë dhënien e Green Cards

Politika amerikane kundër emigrimit ilegal nën presidentin Trump është ashpërsuar, por tani ndërmerret edhe një hap tjetër. Trump do të reduktojë ndjeshëm edhe emigracionin legal në SHBA.

Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon një ndryshim të ligjeve të emigracionit në SHBA, që prekin lejet e përhershme të qëndrimit në Amerikë, të ashtuquajturat Green Cards. Ato do të ulen ndjeshëm në vetëm 500.000 leje në vit. Kjo do të thotë përgjysmimi i lejeve që janë dhënë deri më tani. Në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri fjalë për “një nga reformat më të rëndësishme të sistemit të imigrimit brenda një gjysmë shekulli”.

Trump: Punëtorët e pakualifikuar u marrin punën amerikanëve

Ligji parashikon që në të ardhmen, dhënia e Green Card-eve të bëhet në bazë të një sistemi pikësh si në Australi e Kanada, të cilat vlerësojnë aftësitë e kandidatëve. Trump tha, se sistemi i ri do të vlerësojë ata të huaj që flasin mirë anglisht, kanë cilësi profesionale të caktuara dhe që mund të kujdesen për veten e fëmijët e tyre, tha Trump.

Trump kritikoi sistemin e deritanishëm, që jepet me llotari ose që preferon vetëm ata të huaj, që kanë lidhje familjare me SHBA-në. Në këtë mënyrë vijnë në vend shumë të huaj të huaj të pakualifikuar, që u marrin punën amerikanëve. Sipas Trump kjo rëndon “punëtorët amerikanë, taksapaguesit dhe burimet e komunave”. Nëse në të ardhmen vijnë më pak të pakualifikuar që shtyhen në tregun amerikan të punës, kjo krijon shanse për punëtorët amerikanë.

Projektligji i ri i përgatitur nga senatorët Tom Cotton dhe David Perdue parashikon shpërndarjen e më pak lejeve të qëndrimit për refugjatët deri në 50.000 në vit. Që nga ardhja në pushtet e Trumpit, qeveria amerikane vepron masivisht kundër emigrantëve ilegalë në vend.

 

 

la/(dpa/afp)

Trump: e nënshkrova ligjin e sanksioneve për hir të unitetit kombëtar

Presidenti Donald Trump nënshkroi të mërkurën një ligj me sanksione ndaj Rusisë, të cilin ai e cilësoi “me shumë të meta” dhe me “disa klauzola jo-kushtetuese”.

Ligji ndëshkon me sanksione Moskën, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, si dhe Iranin dhe Korenë e Veriut. Ligji po ashtu kufizon autoritetin e Presidentit për heqjen e këtyre sanksioneve.

“Përmes kufizimit të autoritetit të Presidentit, ky ligj ua vështirëson Shteteve të Bashkuara që të arrijnë marrëveshje të mira për popullin amerikan dhe do t’i afrojë me njëri tjetrin vende si Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut”, – thonte Trump në disa deklarata që i bëri të njohura të mërkurën Shtëpia e Bardhë.

“Megjithë problemet që ka, unë po e nënshkruaj ligjin për hir të unitetit kombëtar”, – shtoi Presidenti. “Që kur u paraqit ligji në fillim, unë i shpreha shqetësimet e mija Kongresit lidhur me të, sepse ligji ndërhyn tek autoriteti i presidentit, krijon një situatë të pafavorshme për kompanitë amerikane dhe dëmton interesat e aleatëve tanë Europianë.”

Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë u miratua thuajse unanimisht në të dyja dhomat e Kongresit.

Udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se ligjvënësit republikanë “nuk duhet ta lejojnë Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit të shmangë detyrat e saj për vendosjen e sanksioneve për sulmin e pacipë Rusisë ndaj demokracisë sonë.”

Senatori republikan Lindsey Graham, i tha CNN-it, se nëshkrimi i ligjit në qetësi dhe pa praninë e zakonshme të gazetarëve dhe kamerave, “përforcon idenë se administrata e zotit Trump nuk e ka seriozisht me masat ndaj Rusisë. Unë mendoj se ky është një gabim, sepse Putini ka për ta parë këtë si shenjë dobësie.”– tha zoti Graham.

Ligji i sanksioneve ndaj Rusisë

Masat ndëshkimore ndaj Moskës merren për shkak të ndërhyrjes ruse ndaj zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit të kaluar, me synimin për ta ndihmuar zotin Trump t’i fitojë zgjedhjet.

Fillimisht, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër ligjit të sanksioneve, pasi ai përmbante një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë.

Ligji i i sanksioneve vendos kufizime të reja ndaj kompanive amerikane që punojnë me kompani ruse të naftës dhe të gazit. Sanksionet u shtohen atyre të vendosura nga Presidenti Barack Obama për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, përfshirë mbylljen e dy komplekseve në Shtetet e Bashkuara, që përdoreshin nga diplomatë rusë dhe dëbimin e 35 diplomatëve rusë.

Të dyja dhomat e Kongresit votuan me shumicë dërrmuese për miratimin e ligjit të sanksioneve, duke e bërë të pavlefshme veton e Presidentit, në se ai nuk do ta nënshkruante ligjin.

Moska reagoi lidhur me ligjin e ri të sanksioneve, para se atë ta nëshkruante Presidenti Trump.

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi.

Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë.

Nënshkrimi i ligjit të sanksioneve nga Presidenti Trump vjen ndërsa nënpresidenti Mike Pence u tha udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor se e ardhmja e tyre është “në Perëndim”, duke e cilësuar Rusinë “një vend të papredikueshëm”, që përpiqet për destabilizimin e rajonit.

Duke folur në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, zoti Pence tha se, “Rusia po i vazhdon përpjekjet për ndërrimin e kufijve ndërkombëtarë me forcë dhe këtu, në Ballkanin Perëndimor, ajo ka punuar për destabilizimin e rajonit, për të minuar demokracitë tuaja dhe për t’iu përçarë me njëri tjetrin dhe me pjesën tjetër të Europës.”

Nënpresidenti Pence është zyrtari më i lartë amerikan që vizion Malin e Zi në 100 vjet. Ky vend u bë anëtar i NATO-s në qershor të këtij viti dhe Rusia është përpjekur të mos e lejojë atë t’i bashkohet Aleancës ushtarake.

“Ne kemi besimin se Ballkani Perëndimor do t’i bashkohet Perëndimit” tha zoti Pence.

Trump nënshkruan sanksionet e reja kundër Rusisë, Koresë Veriore dhe Iranit

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka nënshkruar projektiligjin i cili e sanksionin Rusinë, Korenë Veriore dhe Iranin.

Ligjëvënesit amerikanë e kanë miratuar projektligjin i cili targeton kompanitë ruse të energjisë, dhe sipas së cilit presidenti Trump duhet të kërkojë aprovimin e Kongresit, në mënyrë që të lehtësojë sanksionet kundër Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin është përgjigjur ashpër ndaj miratimit të legjislacionit nga ana e Kongresit, para se presidenti Trump ta nënshkruante atë, duke udhëruar që Uashingtoni ta zvogëlojë stafin diplomatik në Rusi.

Kjo përgjigje nga Rusia ka përshkallëzuar tensionet me SHBA-në, të cilat edhe ashtu kanë qenë të ngritura për shkak të agresonit rus në Ukrainë, rolit të saj në Siri dhe ndërhyjes së supozuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Kremlini e ka cilësuar legjislacionin si “agresion ekstrem” dhe ka akuzuar Uashingtonin për tentim të “izolimit” të Rusisë me sanksione dhe masa të tjera.

Ligjëvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, pasi sipas tyre i njëjëti ishte shumë i dëmshëm për kompanitë evropianë që punojnë në projektin e gazsjellësit me Rusinë.

Ministrja e Ekonomisë në Gjermani i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian t’i luftojë sanksionet e reja të SHBA-së, duke thënë se ato do të pengonin edhe vendet perëndimore në të bërit biznes.

Shtëpia e Bardhë: Trumpi e ka ndihmuar djalin e tij për deklaratën

Presidenti Donald Trump me djalin e tij

Shtëpia e Bardhë ka pranuar dje se presidenti amerikan, Donald Trump, e ka ndihmuar djalin e tij për ta përgatitur deklaratën për takimin e vitit të kaluar me një avokate ruse gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale.

E përditshmja Washington Post ka raportuar pardje se presidenti i kishte thënë djalit të tij, Donald Trump të riut, që t’i thotë shtypit se takimi kryesisht ishte i fokusuar në adoptimet e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë, megjithqë më vonë, emailat kanë treguar se takimi ishte paraparë për diskutim për informacione dëmtuese potenciale për rivalen presidenciale demokratike, Hillary Clinton.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee, tha se presidenti Trump vetëm “ka ofruar sugjerime, sikur që do të vepronin shumë baballarë” dhe ka shtuar se deklarata e djalit të presidentit për shtyp, pasi takimi ishte zbuluar për të parën herë muajin e kaluar, ishte e vërtetë dhe “nuk ka pasur pasaktësi” në të.

Ky incident duket se tregon për përkushtimin e presidentit që t’i neutraalizoj akuzat për përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane. Kjo çështje e ka ndjekur presidencën e tij prej 20 janarit kur ai u inaugurua në Shtëpinë e Bardhë.

Ky zhvillim i fundit mund të ndikoj në intensifikimin e akuzave të ligjvënësve të Shteteve të Bashkuara se Trump po përpiqet t’i fshehë lidhjet me qeverinë e jashtme, e akuzuar për përpjekje për ta ndihmuar atë në zgjedhje.

Avokati i presidentit, Jay Sekulow, i ka hedhur poshtë raportet për këtë incident, duke i cilësuar si “keqinformim”.

Senati e konfirmoi drejtorin e ri të agjencisë FBI

Senati i Shteteve të Bashkuara e ka konfirmuar mbrëmë pothuajse në mënyrë unanime, udhëheqësin e ri të agjencisë FBI,Christopher Wray, i cili në këtë post do ta zëvendësojë ish-drejtorin, James Comey, që u shkarkua nga presidenti amerikan, Donald Truimp, për shkak të vërejtjeve se si e menaxhoi ai një hetim për përzierjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Zoti Wray, 50 vjeçar, ishte zyrtar i lartë në Departamentin e drejtësisë në administratën e presidentit, George W. Bush, ku i ka mbikëqyr hetimet për vjedhjet në korporata.

Ai kthehet në një kohë të vështirë në departament, veçanërisht pas shkarkimit të zotit Comey, i cili ishte gjërësisht i admiruar.

Zoti Wray mori mbështetje gati unanime në Senat, pasi premtoi se kurrë nuk do të lejoj që politika të depërtoj në misionin e FBI-së për arritjen e drejtësisë dhe për ta ndëshkuar krimin.

“Lojaliteti im është për Kushtetutën dhe sundimin e ligjit”, tha Wray gjatë dëgjimit konfirmues në Senat.

Tillerson Koresë së Veriut: Nuk jemi armiku juaj

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson, në komentet e pazakonta të bëra të martën gjatë një konference shtypi, iu drejtua krerëve të Koresë së Veriut me fjalët “ne nuk jemi armiku juaj” dhe bëri thirrje për dialog në klimën e tensioneve që po rriten me shpejtësi.

Zoti Tillerson tha se kërcënimi i Koresë së Veriut “është materializuar pikërisht ashtu siç ne e prisnim të ndodhte” dhe shtoi se administrata amerikane është përgjigjur me “presion paqësor”, ndonëse alternativat janë të kufizuara.

“Ne menduam se gjëja më e përshtatshme që duhej të bënim ishte presioni paqësor ndaj regjimit të Koresë së Veriut, në mënyrë që gradualisht ata të tregoheshin të gatshëm për t’u ulur dhe biseduar me ne dhe me të tjerët”, por me nënkuptimin se “nuk do të ketë një të ardhme” në të cilën Koreja e Veriut do të zotëronte armë bërthamore, tha zoti Tillerson.

Ai tha se nuk ua hedh fajin kinezëve për gjendjen në Korenë e Veriut, por se SHBA do të kërkonin ndihmën kineze në arritjen e një dialogu me Korenë e Veriut.

“Ne jemi në një farë pike kthese” në marrëdhëniet me Kinën, tha zoti Tillerson, duke shtuar se “ne e kuptojmë që kushtet kanë ndryshuar”.

Të hënën, në fillim të një takimi të kabinetit, Presidenti Donald Trump shprehu siguri se kërcënimit të Koresë së Veriut do t’i gjendet zgjidhja, por nuk dha hollësi.

Presidenti Trump i jep Medaljen e Nderit veteranit të Vietnamit

Veteranit të luftës së Vietnamit, Jim McCloughan, mori Medaljen e Nderit për heroizmin e tij gjatë betejës në kodrën Nui Yon, në vitin 1969. Kjo është edhe medalja e parë e nderit që jep Presidenti Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës për Pentagonin, Carla Babb, heroi i luftës shpëtoi jetët e 10 ushtarëve gjatë betejës që zgjati tre ditë. Nderi më i madh ushtarak i Amerikës iu dha infermierit të ushtrisë, Jim McCloughan, për veprimet e tij pesë dekada më parë, gjatë tre ditëve që ai i konsideron si më të këqijat e jetës së tij.

Ishte muaji maj i vitit 1969, kur lufta në Vietnam ishte në kulmin e saj. McCloughan ishte plagosur disa herë, por nuk braktisi bashkëluftëtarët e tij për t’u mjekuar vetë.

“Vura re se isha i mbuluar me gjak gjithandej, por thashë me vete nuk po largohem, pasi do nevojitem”, tregon zoti McCloughan.

McCloughan ishte pjesë e njësisë prej 89 ushtarësh që u përballën me 2 mijë luftëtarë vietnamezë.

“Nuk e di se si nuk na shfarosën. Ishin kaq shumë dhe gjendeshin kudo”, tregon ish-rreshteri Joe Middendorf.

Middendorf mbuloi me zjarr infermierin McCloughan, i njohur thjesht si “doktori” për bashkëluftëtarët, ndërsa ai po vraponte për të tërhequr të plagosurit.

“Ishte e pabesueshme ndërsa shikoje doktorin të vraponte. Jo shumë njerëz do ta bënin”, thotë zoti Middendorf.

Bill Arnold ishte një ndër dhjetë personat që u shpëtuan nga McCloughan.

Pasi ishte hedhur nga helikopteri, në gjendje shoku dhe në pamundësi lëvizjeje, Bill Arnold vuri re një veprim të papritur.

“Pse do të vraponte dikush në mesin e vijës së zjarrit? Ishte doktori dhe po vinte për mua”, tregon ish-rreshteri Arnold.

Një helikopter që ishte dërguar për t’i tërhequr nuk pati mundësi të ulej.

“Kur helikopteri u largua, m’u fashitën të gjitha shpresat. Ra një qetësi pothuajse e plotë”, thotë ish-rreshteri Mike Martino.

Me pak municion, pa ujë dhe ushqim, Jim McCloughan, mendonte për familjen dhe lutej.

“O Zot, nëse më shpëton nga ky ferr mbi tokë, vetëm që ta përqafoj sërish babain tim. Do bëhem prindi më i mirë, trajneri dhe mësuesi më i mirë i mundshëm”, rrëfen ndjenjat e asaj kohe Jim McCloughan.

Jim McCloughan dhe shumë prej bashkëluftëtarëve të tij mbijetuan. Në kthim, ai ndoqi sërish karrierën e ndërprerë nga lufta në Vietnam, duke punuar si mësues dhe trajner për shumë vjet.

Tashmë, ai mund t’i shtojë arritjeve të tij të shumta edhe titullin “hero amerikan”.

Pence: SHBA mbështet integritetin territorial të Gjeorgjisë

TBILISI – Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence bëri të ditur se presidenti i SHBA-ve Donald Trump do ta nënshkruaj në një të ardhme të afërt projektligjin për sanksionet ndaj Rusisë.

Pence i cili ndodhet në Gjeorgji për një vizitë zyrtare, zhvilloi takim me kryeministrin gjeorgjian Giorgi Kvirikashvili.

Pas këtij takimi në ndërtesën qeverisë, Pence dhe Kvirikashvili organizuan një konferencë të përbashkët për media, ku kryeministri Kvirikashvili theksoi se SHBA dhe Gjeorgjia kanë 25 vite marrëdhënie diplomatike dhe se Gjeorgjia i ka tejkaluar rrugët e vështira dhe ka ardhur deri në këto ditë në mënyrë të suksesshme nëpërmjet mbështetjes së SHBA-ve.

Ndërkaq lidhur me pyetjen për integritetin territorial të vendit, Kvirikashvili tha se populli i Gjeorgjisë në linjën e okupimit, çdo ditë po përballet me shkelje të të drejtave, grabitje e provokime të ndryshme. Ai tha se për zgjidhjen e problemeve të integritetit territorial dhe për më shumë paqe e stabilitet, kusht është integrimi në NATO.

Kurse zv/presidenti amerikan Pence, duke e përcjellë mesazhin e presidentit Trump, gjatë fjalimit të tij tha se “Ne ju mbështesim, jemi pranë popullit gjeorgjian”.

Ai po ashtu tha se do të vazhdojë mbështetja e SHBA-ve për zhvillimin ekonomik të Gjeorgjisë dhe rritjes së mundësive për sigurinë dhe mbrojtjen e këtij vendi.

“Në tokat e pushtuara, 40 kilometra larg nga këtu, ndodhen tanket e rusëve. 20 për qind e territorit të Gjeorgjisë është nën pushtim. Unë nënvizoj se SHBA-ja dënon fuqishëm pushtimin e territoreve gjeorgjiane nga Rusia. SHBA-ja ofron mbështetje konkrete për integritetin dhe sovranitetin territorial të Gjeorgjisë. Administrata e e Trumpit gjithmonë do të japë përgjigje të ashpra kundër atyre që përpiqen të shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë”, thotë Pence.

Ai po ashtu potencoi mbështetjen në procesin e anëtarësimit të Gjeorgjisë në NATO.

Lidhur me pyetjen e gazetarëve se SHBA-ja po e mbështet Gjeorgjinë dhe shtetet Baltike, Pence tha se “Presidenti Trump mua më ka dërguar në shtetet Baltike, në Gjeorgji dhe në Mal të Zi për ta përcjellë mesazhin tonë të mbështetjes. SHBA-ja është pranë shteteve të cilat e duan paqen”.

Ai po ashtu tha se gjithë aleatët e NATO-së duhet të mbajnë të njëjtin pozicionim kundër kërcënimit rus.

Duke vënë në dukje se mbështetja e dhënë nga Rusia për disa regjime po e vështirëson procesin e krijimit të marrëdhënieve të mira mes Rusisë dhe SHBA-ve, Pence thotë se “Jam i sigurtë se me mirëkuptim të ndërsjelltë, ne në të ardhmen do t’i rregullojmë marrëdhëniet me Rusinë. Jam i bindur se dialogu do të na sjellë rezultate më të mira. Dialogu do të sjellë një mundësi për zgjidhjen e konflikteve afatgjate në Ukrainë, Gjeorgji dhe në vendet e tjera të botës”.

Zv/presidenti amerikan Pence po ashtu bëri të ditur se presidenti i SHBA-ve Trump në një të ardhme të afërt do ta nënshkruajë projektligjin e ri për sanksionet ndaj politikës pushtuese të Rusisë. Ai tha se ky dokument në Senat do të shndërrohet në ligj.

“Në të vërtetë ne dëshirojmë largimin e sanksioneve ndaj Rusisë, por kjo mund të realizohet vetëm nëse Rusia heq dorë nga politika e saj destruktive. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë por hapat e marra kundër diplomatëve në periudhat e fundit për fat të keq tregojnë të kundërtën”, tha ai.

Dorëhiqet Scaramucci, drejtori i ri i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë

Drejtori i ri i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucci dha dorëheqjen, vetëm 10 ditë pas emërimit në këtë post.

Njoftimi u dha të hënën, dita e parë e punës në Shtëpinë e Bardhë për zotin John Kelly si shef i ri i kabinetit.

Anthony Scaramucci, financier nga Nju Jorku, u bë shkak për polemika menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, duke hapur një grindje me ish-shefin e kabinetit Reince Priebus.

Revista New Yorker botoi të enjten një intervistë, në të cilën Scaramucci e sulmoi ashpër zotin Priebus, në atë kohë shef kabineti, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.

Sipas mediave, dorëheqja erdhi për t’i lejuar një fillim të ri shefit të ri të kabinetit, Kelly.

Gjenerali në pension Kelly, ish-sekretar i sigurisë kombëtare, e bëri betimin në detyrën e re të hënën.

Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi si reagim ndaj sanksioneve amerikane për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë. Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë, si dhe masa të reja ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut të përfshira në legjislacion.

Zoti Putin i tha një rrjeti televiziv rus se qeveria e tij mund të marrë edhe masa të tjera kundër Shteteve të Bashkuara, por se sot për sot ai “do të ishte kundër tyre”.

“Ne kemi një numër të madh alternativash. Po reagojmë tani sepse amerikanët ndërmorën këtë hap të paprovokuar drejt keqësimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi, duke imponuar kufizime të paligjshme dhe duke u përpjekur të ushtrojnë ndikim tek vende të tjera, përfshirë aleatët e tyre që janë të interesuar në ruajtjen dhe përparimin e lidhjeve me Federatën Ruse”.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të japë numrin e saktë të diplomatëve ose zyrtarëve amerikanë në Rusi, por mendohet që numri të jetë rreth 400, disa prej të cilëve kanë anëtarë të familjeve me pasaporta diplomatike.

Një numër i madh i mbi 1000 punonjësve të misionve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petërsburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.

Kongresi amerikan i miratoi sanksionet e reja të enjten. Legjislacioni për sanksionet, demonstroi diçka të rrallë në Kongres, një mbështetje dërrmuese nga të dyja palët.

“Ne nuk do të tolerojmë sulme ndaj demokracisë sonë. Ky është synimi i kësaj pakete”, tha senatori republikan John McCain.

Sanksionet vënë në shënjestër segmente të gjera të sektorëve më me rëndësi për Presidentin Putin.

“Sanksionet e detyrueshme që lidhen me sektorët e energjisë, financave, zbulimit dhe mbrojtjes”, tha senatori demokrat, Ben Cardin.

Ministria e Jashtme e Rusisë ishte e para që reagoi të premten duke propozuar reduktimin e personelit diplomatik dhe teknik amerikan në Rusi në të njëjtin nivel sa ç’është personeli rus në Shtetet e Bashkuara, në 455 vetë dhe shtoi se kjo duhet realizuar deri në fund të gushtit.

Megjithatë zëvendës ministri i jashtëm rus.Sergei Ryabkov tha të dielën se beson që ka fusha ku të dyja palët mund dhe duhet të punojnë së bashku, përfshirë mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, kundërterrorizmi, trafiku njerëzor, imgracioni i paligjshëm dhe ndryshimet e klimës.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për sanksionet.

Ndërsa Kongresi ishte angazhuar prej kohësh në negociatat për legjislacionin, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër për shkak të një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Kjo përfshin vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mbyllur dy komplekse ruse dhe për të dëbuar 35 diplomatë për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Analistët politikë në Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar se zoti Trump, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet me Putinin, mund t’i shfuqizonte sanksionet e ish- Presidentit Obama kur të merrte detyrën në janar, por ai nuk e bëri këtë.

Që nga ajo kohë, muajt e parë të Presidencës së zotit Trump janë shoqëruar nga hetime të shumta për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, të përqendruara veçanërisht për të analizuar nëse ndihmësit e tij kishin bashkëpunuar me Moskën për ta ndihmuar atë të fitonte.

Hetimet kanë si synim gjithashtu t’i japin përgjigje pyetjes nëse zoti Trump pengoi drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey, që ishte në krye të hetimit për Rusinë.

Një tjetër ish-drejtor i FBI-së, Robert Mueller, u emërua për të drejtuar një hetim të posaçëm.

Moska e ka hedhur poshtë përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti Putin personalisht kishte orkestruar ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Presidenti Trump i ka quajtur hetimet “gjueti shtrigash” dhe një justifikim që sipas tij kanë përdorur demokratët për të shpjeguar fitoren e tij të papritur ndaj kandidates Hillary Clinton.

Trumpi hedh poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë.

Në komentet e bëra sot në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos,” shkruante ai.

Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.

Në takimin me shefin e ri të kabinetit, Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë spektakolare” në detyrën e re.

Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.

Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.

Sot, Presidenti Trump pati një takim me Prokurorin e Përgjithshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Pence: Sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve

TALIN – Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence tha se sulmi ndaj një aleati të NATO-s, është sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Pence, i cili ndodhet për vizitë në kryeqytetin e Estonisë, Talin, u takua me Presidentin e këtij vendi Kersti Kaljulaid, Presidentin e Letonisë Raimonds Vejonis dhe Presidenten e Lituanisë Dalia Grybauskaite.

“Sulmi ndaj një aleati të NATO është sulm ndaj të gjithëve”, ka thënë Pence.

Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump konsideron se siguria është baza e përparimit.

Pritet që pas Estonisë Pence të vizitojë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi.

Pence e ka theksuar mundësinë e vendosjes së sistemit antiraketor në Estoni

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence gjatë konferecës së përbashkët për media me presidenten e Estonisë Kersti Kaljulaid, atë të Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presindetin e Letonisë, Raimonds Vejonis

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor, Patriot, në Estoni, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Juri Ratas.

Ne folëm për këtë çështje, por ne nuk kemi biseduar për datë ose kohë”, i tha zoti Ratas transmetuesit shtetëror, ERR, pasi Mike Pence e filloi një vizitë në këtë vend të vogël baltik, në kufi me Rusinë.

Sistemi mbrojtës antiraketor i Shteteve të Bashkuara, Patriot, është mobil, i vendosur në tokë dhe me kapacitet për interceptimin e raketave dhe aeroplanëve.

Kryeministri Ratas tha se me zëvendëspresidentin, Mike Pence, ka biseduar edhe për manovrat e planifikuara ushtarake të Rusisë, afër kufirit të Estonisë dhe se “Estonia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, do të duhej t’i monitoronin ato dhe shkëmbejnë informacione”.

Zoti Pence, në ndaljen e parë të tij gjatë turneut, me ç’rast do ta vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, tha në kryeqytetin Talin të Estonisë, se Uashingtoni qëndron me vendet baltike dhe aleatët e tjerë në pjesën lindore të Evropës, që kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë në rajonet përkatëse.

Mesazhi ynë për vendet baltike, mesazhi im kur ne e vizitojmë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, do të jetë i njëjtë: për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore, ne jemi me ju, ne qëndrojmë me ju në të mirë të lirisë”, tha Pence gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, Fox News.

Në Talin zëvendëspresidenti, Mike Pence, është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, me ç’rast është biseduar për ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike dhe për inovacione.

Planifikohet që ai do të qëndrojë edhe në Letoni dhe Lituani, që të dy këto shtete, së bashku me Estoninë, janë anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin nën sundimin e Moskës gjatë periudhës sovjetike.

Nga Talini, zoti Pence ndalet në Gjeorgji dhe në Mal të Zi, që është vendi më i ri anëtar i aleancës veriatlantike.

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se ky udhëtim shihet si vazhdim i vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Evropë, në fillim të muajit korrik.

Me këtë rast, zoti Trump pat qëndruar në Poloni dhe Gjermani, për të shprehur mbështetje për NATO-n, derisa gjatë këtij udhëtimi ai ka mbajtur takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekje për përmirësim të lidhjeve me Moskën.

Në fillim të presidencës së tij, Trump i pat zemëruar disa aleatë amerikanë pasi ai kishte dështuar që ta theksojë qartazi Artikullin 5 të Marrëveshjes për NATO-n, sipas të cilit sulmi kundër një anëtari të NATO-s paraqet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare të aleancës.

Por, më 6 korrik në Varshavë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se qëndron “fuqishëm prapa” Artikullit 5 dhe e ka kritikuar Rusinë për aktivitetet e saj në Evropë.

Estonia dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, derisa Gjeorgjia ka shprehur dëshirë për bashkim me aleancën perëndimore.

I pyetur për përkushtimin e zotit Trump për dispozitën për mbrojtje reciproke të NATO-s, Pence u tha reporterëve në Talin të Estonisë, se administrata e Shteteve të Bashkuara “e ka bërë të qartë se politika e jonë është që të qëndrojmë fuqishëm me aleatët tanë në NATO dhe të qëndrojmë fuqishëm prapa Artikullit 5, se një sulm në njërin prej nesh, është sulm në të gjithë ne”.

Në Gjeorgji, zyrtarët e këtij vendi thanë se Mike Pence pritet ta theksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.

Gjeorgjia e ka përjetuar shkeljen ruse në territorin e saj.

Kremlini i ka njohur si shtete të pavarura dy rajone separatiste në Gjeorgji, Abhazinë dhe Osetinë Jugore, pas luftës pesëditëshe kundër Gjerogjisë, në vitin 2008.

Në këto dy rajone, Rusia i ka vendosur mijëra ushtarë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

SHBA: Dënohet kërkesa e Putinit për largimin e 755 diplomatëve

Departamenti amerikan i shtetit ka vlerësuar se kërkesa e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për zvogëlimin e personelit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Rusi për 755 vetë, është “për keqardhje dhe e paarsyshme” dhe ka paralajmëruar se Uashingtoni po e shqyrton përgjigjen e mundshme.

“Ne po e vlerësojmë ndikimin e një kufizimi të tillë dhe se si do të përgjigjemi ndaj tij”, thuhet në kumtesën e mbrëmshme të Departamentit amerikan të shtetit.

Kërkesa e zotit Putin që Shtetet e Bashkuara ta zvogëlojnë numrin e personelit në Rusi u bë në periudhën e përshkallëzimit të mospajtimit lidhur me sanksionet e reja të miratuara nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara kundër Moskës.

Gjatë një interviste të djeshme në Televizionin shtetëror rus, Putin tha se më se 1 mijë diplomatë amerikanë dhe “personel mbështetës” aktualisht punojnë në Rusi dhe “755 vetë duhet ta ndalin aktivitetin e tyre”.

SHBA teston me sukses sistemin e ndalimit të raketave

Sistemi i mbrojtjes raketore THAAD, i SHBA-së

SHBA-ja ka thënë se me sukes ka rrëzuar një raketë balistike me rreze të mesme, në kuadër të testimeve, duke përdorur sistemin e pengimit , që shpreson ta vendosë në gadishullin korean.

Testi i sotëm i sistemit të mbrojtjes raketore (THAAD), është bërë në kohën e tensioneve të ngritura, pasi Koreja Veriore testoi me sukes një raketë balistike interkontinetale (ICBM), e cila dëshmoi se ka kapacitet për të arritur në territorin e SHBA-së.

Agjencia e Mbrojtjes Raketore në SHBA, ka thënë se testi amerikan është bërë ashtu që, një aeroplan i tipit C-17, duke fluturuar në Oqeanin Paqësor, ka nisur një raketë me rreze të mesme, e cila është zbuluar dhe penguar nga sistemi i mbrojtjes raketore THAAD, në Alaskë.

Kjo agjenci ka thënë se ky është testimi i 15-të që është kryer me sukses.

Disa nga testimet e këtij lloji ishin kryer nga Koreja Jugore, kur Seuli udhëhiqej nga qeveria e mëparshme.

Lideri i ri i Koresë Jugore, Moon Jae-In, pati pezulluar programin THAAD, në qershor, duke thënë se duhet të bëhet një vlerësim i ri i ndikimit të këtij programi në mjedis.

Kina ka qenë shumë e zemëruar me vendosjen e programit në këtë pjesë, duke e quajtur këtë hap si destabilizues për rajonin.

Presidenti rus, Vladimir Putin pati thënë se vendosja e programit THAAD, në Korenë Jugore dhe në Alaskë, “shkatërron balancin strategjik në botë”.

Donald Trumpi do ta sulmojë Korenë e Veriut “brenda vitit të ardhshëm”

Donald Trumpi thuhet se do të urdhërojë një sulm ushtarak kundër Koresë së Veriut ‘brenda vitit të ardhshëm’, pasi shteti komunist tha se shkrepi me sukses një raketë balistike e cila është në gjendje të godasë SHBA-në.

Burime ushtarake në Uashington i thanë ‘The Mail’ të dielën se zyrtarët e Pentagonit kanë planifikuar të zhdukin një objekt të armatimit bërthamor që vepron thellë brenda një mali në shtetin komunist.

Kjo lëvizje, që mund të nxitë sulme hakmarrëse nga diktatori Kim Jong-Un, do të ishte një hap i madh drejt luftës gjithëpërfshirëse për të ndalur Korenë e Veriut nga zhvillimi i armëve bërthamore, transmeton Gazeta Express.

Kjo vjen pasi Koreja e Veriut lansoi një raketë balistike ndërkontinentale me një rreze veprimi prej 7,000km të premten në mbrëmje.

Pentagoni tha se raketa fluturoi rreth 4,000km pothuajse drejt, para se të zhytej në detin e Japonisë.

Trump: Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh

“Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh. Udhëheqësit tanë të pamend në të kaluarën u kanë lejuar atyre që të bëjnë tregti me qindra miliarda dollarë në vit, por ata nuk kanë bërë asgjë për ne lidhur me çështjen e Koresë së Veriut”

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump duke iu referuar Kinës se “nuk ka bërë asgjë” lidhur me çështjen e Koresë së Veriut, është shprehur se “Kina i ka shkaktuar një zhgënjim të madh”.

Trump duke kritikuar Kinën nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter, ka shkruar se:

“Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh. Udhëheqësit tanë të pamend në të kaluarën u kanë lejuar atyre që të bëjnë tregti me qindra miliarda dollarë në vit, por ata nuk kanë bërë asgjë për ne lidhur me çështjen e Koresë së Veriut. Ne nuk do të lejojmë që kjo të vazhdojë. Kina mund ta kishte zgjidhur me lehtësi këtë problem!”.

Ky postim i presidentit Trump ka ardhur pas testimit të raketës balistike interkontinentale të Koresë së Veriut.

Raketa e testuar nga Pyongyang-i ka udhëtuar 1 mijë kilometera, para se të binte në detin e Japonisë.

Trump i cili qëndroi në Hamburg në kuadër të Samitit të Liderëve G20, ishte takuar me presidentin e Kinës Xi Jinping.

Gjatë këtij takimi tema kryesore ishte Koreja e Veriut, ndërkohë para këtij takimi në një deklaratë për media Trump kishte falenderuar presidentin kinez për angazhimin e tyre lidhur me çështjen e Koresë së Veriut.

Trump poashtu në një takim të zhvilluar më herët në Florida ishte shprehur se kanë marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin Xi Jinping. AA

SHBA, largohet Priebus. Presidenti emëron gjeneralin Kelly si shef kabineti

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten pasdite me Twitter se kishte emëruar sekretarin e Sigurisë Kombëtare gjeneralin në pension John Kelly si shef kabineti të Shtëpisë së Bardhë, në vend të zotit Reince Priebus.

“Jam i kënaqur t’ju informoj se sapo kam emëruar Gjeneralin/ Sekretarin John Kelly si shef kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Ai është një amerikan i shkëlqyer,” shkruante Presidenti në Twitter.

Vendimi i presidentit Trump vjen pas disa ditë tensionesh publike mes zotit Priebus dhe drejtorit të ri të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucchi.

“Reince Priebus është njeri i mirë. Gjeneral Kelly do të bëjë një punë fantastike,” tha zoti Trump pasi zbriti nga avioni presidencial.

Pak ditë më parë, zoti Scaramucchi ndërmori sulme verbale kundër shefit tashmë të shkarkuar të kabinetit, Priebus, zhvillime që u panë si një luftë e hapur brenda stafit në nivelet më të larta të administratës Trump.

Zoti Kelly njihet për mbështetjen që gëzon nga ligjvënësit e të dyja partive.


Send this to a friend