VOAL

VOAL

Hope Hicks, drejtore e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Trump emëroi Hope Hicks si drejtore të përhershme të komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Hope Hicks është një nga personat që ka punuar më gjatë me Presidentin Trump që nga koha e fushatës. Ajo ishte caktuar në postin e drejtores së komunikimeve përkohësisht, kur zëvendësoi Anthony Scaramuccin, që u shkarkua në korrik pas më pak se dy javësh në detyrë. Hicks ishte sekretare shtypi gjatë fushatës dhe më pas këshilltare më Shtëpinë e Bardhë. Më parë ajo kishte punuar për Organizatën Trump, përfshirë kompaninë e vajzës së tij, Ivanka Trump.

28 vjeçarja ka punësuar një avokat të Departamentit të Drejtësisë për ta përfaqësuar në hetimin për lidhjet e mundshme me Rusinë nga ana e zyrtarëve të fushatës së Presidentit Trump dhe Rusisë. Zoti Mueller do që të intervistojë këshilltaren Hicks dhe pesë persona të tjerë.

Trump: Tmerri i 11 shtatorit është ngulitur në kujtesën tonë kombëtare

Presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, kanë mbajtur një minutë heshtje në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur një minutë heshtje në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, me rastin e 16-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

Afro 3,000 njerëz janë vrarë pasi rrëmbyesit kanë përplasur katër aeroplanë komercialë në Qendrën Botërore të Tregtisë, në Pentagon dhe në një fushë në Pensilvani.

Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, kanë mbajtur një minutë heshtje në orën 8:46, për të shënuar momentin kur aeroplani i parë është përplasur për Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork.

Presidenti mori pjesë edhe në një ceremoni në Pentagon.

“Tmerri dhe ankthi i asaj dite të errët është ngulitur përgjithmonë në kujtesën tonë kombëtare”.

“Vlerat tona do të rezistojnë, njerëzit tanë do të përparojnë, kombi ynë do të mbizotërojë dhe kujtesa për të dashurit tanë nuk do të vdesë kurrë”, tha Trump në ceremoninë në Pentagon.

Sulmet e 11 shtatorit, më vdekjeprurëset në tokën amerikane, kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të pushtojnë Afganistanin dhe më vonë Irakun.

Irma dobësohet por rreziku nuk ka kaluar

Uragani Irma është dobësuar dhe është kthyer në një stuhi tropikale sot, ndërsa zhvendoset në veri të Floridës dhe në jug të Xhorxhas, sipas Qendrës Kombëtare amerikane të Uraganëve. Irma ka shkaktuar shkatërrim në Florida, shteti i tretë më i populluar i Amerikës. Por një zyrtar thotë se ende është e vështirë që të llogariten dëmet.

Metereologët po paralajmërojnë se fryrja e ujrave shkaktuar nga Irma përgjatë brigjeve juglindore mund të shkaktojë “kushte që rrezikojnë jetën”. Drejtori i Menaxhimit të Emergjencave për Floridën, Bryan Koon, thotë se stuhia është ende shumë fuqishme për të filluar përpjekjet e vlerësimit të dëmeve.

“Koha ka qenë shumë e keqe gjithë ditën për të mundur të organizojmë fluturime. Prandaj nuk kemi një ide të detajuar se sa është shkalla e dëmeve. Nuk kam shifra për lëndime të mundshme”, tha ai.

Qendra e uraganëve thotë se është e mundur që të ketë tornado në Floridën verilindore, Xhorxhan juglindore dhe Karolinën e Jugut deri sot në darkë.

“Irma po dobësohet ndërsa vazhdon të shkojë drejt veriut në zonën perëndimore të gadishullit të Floridës. Një nga pasojat më të konsiderueshme, pritet të jenë reshjet e dendura të shiut në veri të Floridës dhe në Xhorxha në dy ditët e ardhshme”, tha John Cangialosi, specialist për uraganët në Qendrën Kombëtare të Uraganëve.

Të dielën në darkë, Irma po lëvizte me erëra me shpejtësi maksimale 155 kilometra në orë.

Para se të godiste Shtetet e Bashkuara, Irma shkaktoi shkatërrim në Karaibe, që tani përgatiten për të përballuar uraganin Hoze, që të dielën në darkë po lëvizte me erëra me shpejtësi 185 kilometra në orë. Parashikuesit e motit parashikojnë që fryrja e ujrave nga uaragani Hose mund të prekin pjesë të Hispaniolës, ishujve Bahamas dhe Turks and Caicos gjatë dy ditëve të ardhshme.

Mbi gjashtë milionë vetë në Florida ishin pa energji elektrike të dielën natën pasi Irma goditi pjesë të Brigjeve të Gjirit të këtij shteti me erëra të fuqishme me mbi 200 kilometra në orë.

Stuhia goditi në ishujt Keys të dielën në mëngjes kur po arrinte maksimumin e fuqisë. Në mbrëmje po i afrohej Tampës dhe Shën Peterburgut, dy qytetet më të mëdha përreth Gjirit të Tampës, ku ujrat e stuhisë pritej të shkaktonin dallgë deri në tre metra lartësi në rrugë, oborre dhe shtëpi.

Presidenti Donald Trump e shpalli Floridën, një zonë katastrofe madhore të dielën, një veprim që bën të mundur dislokimin e fondeve të ndihmave federale për viktimate stuhisë me ritme më të shpejta.

Mbi 75 mijë vetë hynë në strehime urgjente në gjithë shtetin, por gjithsej vetëm tre vdekje të lidhura me stuhinë ishin raportuar në Florida, deri të dielën vonë. Të pakën 25 vetë kanë gjetur vdekjen që kur Irma goditi Karaibet javën e kaluar.

Amerika kujton 11 shtatorin

Donald Trump, për herë të parë si president do të udhëheqë vendin sot në ceremonitë përkujtimore me rastin e sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001.

Presidenti Trump do të shënojë 16 vjetorin e aktit në të rëndë terrorist në tokën amerikane me një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, me një minutë heshtje në orën 8:40, kohën kur avioni i parë i rëmbyer nga terroristët e al-Kaidës u përplas në Qendrën Botërore të Tregëtisë në Nju Jork. Avioni i dytë goditi kullën e dytë 23 minuta më pas dhe rrokaqiejt e mëdhenj u shembën në flakë dhe tym pak më vonë.

Presidenti Trump do të marrë pjesë gjithashtu në një ceremoni përkujtimore sot më vonë në Pentagon, që u godit dhe u dëmtua rëndë nga një avion tjetër komercial i rrëmbyer në atë ditë famëkeqe. Herët në mëngjes, një flamur amerikan u shpalos në anë të ndërtesës.

Nënpresidenti Mike Pence do të udhëtojë në Shanksville të Pensilvanisë, ku një tjetër avion i rrëmbyer u përplas në një fushë. Besohet se pasagjerët u përpoqën të rimerrnin kontrollin e avionit kur e kuptuan se rrëmbyesit e tij të armatosur me thika kërkonin ta drejtonin avionin drejt Uashingtonit për një tjetër sulm, duke synuar Kapitolin ose Shtëpinë e Bardhë dhe se rrëmbyesit e rrëzuan aeroplanin në vend që të dorëzoheshin.

Të gjithë pasagjerët në bordin e katër avionëve të rrëmbyer humbën jetën më 11 shtator, 2001. Përfshi viktimat massive në Nju Jork dhe humbjet e jetëve në Pentagon, sulmet e 11 shtatorit vranë gati 3,000 njerëz.

Militanti islamik i quajtur nga hetuesit amerikan si “arkitekti kryesor” i sulmeve të vitit 2001, “Khalid Sheikh Mohammed”, u kap në Pakistan në fillim të vitit 2003 dhe mbahet në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Sulmet ishin miratuar paraprakisht nga udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden, i cili u qëllua për vdekje nga komandot amerikane në maj të vitit 2011, gjatë një bastisjeje në një kompleks të rrethuar me mur në Pakistan, ku ai fshihej.

Uragani Irma godet Floridën me shira dhe erëra të fuqishme

Uragani Irma preku brigjet e Floridës, në ishujt Key West, pasi u fuqizua përsëri në një stuhi të shkallës së 4, por më pas përsëri u ul në shkallën e 3-të, me erëra me shpejtësinë rreth 130 kilometra në orë.

35 milionë njerëz u paralajmëruan nga autoritetet për rrezikun e uraganit, ngaqë priten shkatërrime në disa zona të shtetit jugor amerikan.

Metereologët thonë se Irma është stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit.

Pas largimit nga Key West, uragani lëvizi drejt brigjeve perëndimore të Floridës, duke prekur zonat më të populluara në Naples, Fort Myers dhe drejt qytetit Tampa.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott, e cilësoi Irmën si “një stuhi katastrofike që ky shtet kurrë nuk e ka parë më parë”. Ai u tha të shtunën në mbrëmje banorëve se i gjithë shteti është në gjendjen e emergjencës, duke u bërë atyre thirrje të largohen drejt zonave të evakuimit.

Një strehim me banorët e evakuuar

Një strehim me banorët e evakuuar

Guvernatori Scott përsëriti thirrjen për infermierët dhe punonjësit e emergjencave që të ofrojnë ndihmën e tyre vullnetare, shumë të nevojshme pas stuhisë.

Më tepër se 75 mijë njerëz e dëgjuan këshillën e guvernatorit dhe shkuan në rreth 400 qendra strehimi. Mbi 1 milion banesa dhe biznese u njoftuar se nuk kanë energji elektrike.

Ngaqë uragani e ndryshoi drejtimin nga perëndimi, banorët e qytetit të Tampës ishin të fundit që shkuan nëpër strehime, pasi më parë mendohej se stuhia atje nuk do të ndjehej shumë.

Uragani Irma prek Floridën

Uragani Irma preku brigjet e Floridës, në ishujt Key West, pasi u fuqizua përsëri në një stuhi të shkallës së 4, me erëra me shpejtësinë rreth 90 kilometra në orë, por që pritet të arrijnë mbi 200 kilometra në orë. 35 milionë njerëz janë paralajmëruar për rrezikun e uraganit, ngaqë priten shkatërrime në disa zona të shtetit jugor amerikan.

Metereologët thonë se Irma është stuhia më e fuqishme në 100 vitet e fundit.

Pas largimit nga Key West, uragani pritet të lëvizë drejt brigjeve perëndimore të Floridës, drejt qytetit të Shën Petersburgut.

Guvernatori i Florida, Rick Scott, e cilësoi Irmën si “një stuhi katastrofike që ky shtet kurrë nuk e ka parë më parë”. Ai u tha të shtunën në mbrëmje banorëve se i gjithë shteti është në gjendjen e emergjencës, duke u bërë atyre thirrje të largohen drejt zonave të evakuimit.

Guvernatori Scott përsëriti thirrjen për infermierët dhe punonjësit e emergjencave që të ofrojnë ndihmën e tyre vullnetare, shumë të nevojshme pas stuhisë.

Më tepër se 75 mijë njerëz e dëgjuan këshillën e guvernatorit dhe shkuan në rreth 400 qendra strehimi. Rreth 76 mijë banesa është njoftuar se nuk kanë energji elektrike. Ngaqë uragani e ndryshoi drejtimin nga perëndimi, banorët e qytetit të Tampës ishin të fundit që shkuan nëpër strehime, pasi më parë mendohej se stuhia atje nuk do të ndjehej shumë.

Kjo është hera e parë në rreth 100 vjet që Tampa goditet nga uragani

Trump – Erdogan: Pajtueshmëri për të punuar së bashku, megjithë tensionet

Recep Tayyip Erdogan (majtas) dhe Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede të mbrëmshme telefonike, janë pajtuar për të punuar së bashku për lidhje më të forta dhe për siguri rajonale, kanë thënë zyrat e të dy liderëve.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se zoti Trump ka “theksuar përkushtimin e përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, për të punuar së bashku, për ta shtuar stabilitetin në rajon”.

Presidenca e Turqisë ka njoftuar se të dy liderët kanë theksuar partneritetin strategjik ndërmjet dy shteteve dhe “rëndësinë e vazhdimit të punës së përbashkët për forcimin e mëtejshëm të raporteve bilaterale dhe për rritjen e stabilitetit në rajon”.

Kjo bisedë telefonike u bë një ditë pasi Erdogan i dënoi akuzat e autoriteteve amerikane kundër disa shtetasve turq për shkelje të sanksioneve financiare kundër Iranit, përfshirë dhe ish-ministrin e ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan.

Erdogan tha se akuzat ishin politikisht të motivuara kundër Turqisë, që është aleate shumëvjeçare e Shteteve të Bashkuaa dhe anëtare e NATO-s.

SHBA thirrje Mianmarit që gazetarëve t’u mundësojë raportim të lirë

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert: “Është shumë vështirë të merren informacione të sakta nga terreni”

UASHINGTON – Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se nuk ka mjaft “lajme të sakta” nga Mianmari, ku janë të pranishme skenat e krimit ndaj myslimanëve Rohingya, dhe i kërkon qeverisë së Mianmarit të ndihmojë përfaqësuesit e medias të raportojnë lirisht.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në konferencën për media në Uashington shprehu shqetësimin për shkak të ndodhive në rajonin Arakan.

Nauert për shkeljen e të drejtave të njeriut mbi myslimanët në Mianmar tha se bëhet fjalë për “pohime”, dhe nga ky rajon nuk ka mjaft “informacione të sakta”. “Është shumë vështirë të merren informacione të sakta nga terreni”, theksoi Nauert.

Ajo shtoi se “I bëjmë thirrje Qeverisë së Mianmarit që gazetarëve dhe reporterëve t’u mundësojë qasje deri te informacionet e sakta për të kuptuar se çfarë po ndodh në rajon. Vazhdojmë kontaktet me Qeverinë e Mianmarit, jo vetëm për dhunën në vend, por edhe për situatën e mediave në këtë vend dhe ndihmën humanitare.”

Nauert nuk iu përgjigj pyetjes lidhur me nismën që ministres së Punëve të Jashtme dhe ministre shtetërore për Çështjet e Presidencës së Mianmarit Aung San Suu Kyi t’i merret Çmimi Nobël për Paqe. aa

Regjistrohen 11 të vdekur nga uragani Irma

Uragani Irma në brigjet e ishujve Karaibe

Numri i të vdekurve nga uragani më i fuqishëm i regjistruar ndonjëherë në Atlantik, ka marrë jetën e 11 personave.

Uragani ka kaluar përmes ishujve Karaibe dhe shumë shpejtë pritet të arrijë edhe në shtetin e Floridas të SHBA-ve, thonë zyrtarët amerikanë.

Me erëra të forta rreth 290 kilometra në orë, uragani Irma ishte në madhësi të territorit të Francës e që po kalon nëpër ishuj të vegjël, duke shkatërruar gjithcka.

Erërat e uraganit ishin zvogëluar paksa derisa prekën ishujt e mëdhenj të Republikës Domenikane, megjithatë ky uragan ende vazhdon të jetë në shkallën më të lartë, në kategorinë e pestë.

Derisa pritet që stuhia e fuqishme të arrijë në Florida, miliona njerëz po përgatiten, disa duke u paketuar në makinat e tyre, e të tjerët duke rezervuar fluturime jashtë shtetit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë “të jenë vigjilent dhe të kujdeshëm”, derisa edhe një nga pronat e tij, në ishullin e Shën Martinit ishte shkatërruar nga uragani.

“Ëndërrimtarët” zotohen të mbrojnë “DACA”-n deri në fund

Presidenti Donald Trump njoftoi se do të rishqyrtojë vendimin për t’i dhënë fund një programi që mbron prej deportimit rreth 800 mijë emigrantë pa dokumente, të ardhur në Amerikë të mitur, nëse Kongresi, siç dhe u shpreh, nuk vepron mbi këtë çështje brenda 6 muajsh. Ky reagim i presidentit erdhi pasi ai vetë miratoi vendimin për t’i dhënë fund atij që njihet si programi “DACA”. Njoftimin e bëri Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions. Vendimi ngjalli kundërshti kudo në SHBA, nga përfitues dhe mbrojtës të programit. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Ramon Taylor bisedoi me disa prej përfituesve të programit, që thanë se do të vazhdojnë përpjekjet për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara për aq kohë sa të munden.

Nuk jam e sigurt se si do të shkoj në shtëpi sot dhe t’i shpjegoj nënës sime se ndihma që siguroja, nuk është më…” thotë Flor Reyes, përfituese e programit “DACA”.

Njëzetvjeçarja Reyes ka ndihmuar nënën, të rrisë e vetme pesë vëllezërit dhe motrat e saj më të vogla, të gjithë të lindur këtu e për këtë arsye shtetas amerikanë. Por papritmas e ardhmja e saj është e pasigurtë.

Ne dolëm prej errësirës për t’u përballur me një rrezik edhe më të madh“.

Situata e saj është e ngjashme me atë të 800 mijë të tjerëve. Ashtu si Flor Reyes, të gjithë u lindën në një vend tjetër, por u rritën në Shtetet e Bashkuara. Në shumicën e rasteve, ata nuk njohin ndonjë vend tjetër si shtëpi të tyren. Deri dje, kur qeveria njoftoi mbylljen e programit të njohur si “DACA”, ata mund të mbështeteshin në mundësinë që u ishte dhënë për rinovimin e lejeve të punës dhe mbrojtjen nga deportimi.

Ka diçka që unë të paktën mund ta ndjej pothuajse fizikisht, tension në rritje“, thotë KEVIN DUARTE përfitues i programit “DACA”

Tension që u kthye në mosbindje civile në masë përpara kullës Trump në Nju Jork si përgjigje ndaj vendimit të administratës për t’i dhënë fund programit “DACA”, për arsye ligjore ose ndoshta të ligjshme.

Kushtetuta përcakton rolin e Kongresit në harimin e ligjeve. Detyra e ekzekutivit është zbatimi i ligjit.

Presidenti Trump nuk mund t’u jepte këtyre njerëzve një zgjidhje të përhershme. Asnjë president nuk mundet. Është përtej çdo autoriteti kushtetues të presidentit. Presidenti Obama e dinte këtë, po ashtu edhe Presidenti Trump. Pra, i takon Kongresit t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje“, thotë DAVE RAY i Federatës për reformën e emigrimit në Amerikë.

Pikë me të cilën nuk bien dakord aktivistët si dhe mbrojtësit kryesorë të programit, të cilët argumentojnë se vendimi është një akt hipokrizie.

Analiza ligjore mbi ligjshmërinë e DACA-s nuk ka ndryshuar aspak. Është e njëjta analizë ligjore që ekzistonte prej fillimit të administratës Trump, kur vetë Presidenti Trump tha se “Ëndërruesit” mund të ishin të qetë. Asgjë nuk ka ndryshuar në aspektin e analizës ligjore, e vetmja gjë që ka ndryshuar është politika“, thotë STEVEN CHOI, drejtor ekzekutiv i koalicionit të emigracionit në Nju Jork.

Programi është planifikuar të përfundojë tërësisht në muajin mars të vitit 2018, por asgjë nuk është e sigurt, me përjashtim të rastit nëse Kongresi i ndarë politikisht miraton një ligj përpara përfundimit të këtij afati.

Nuk shpresoj tek kjo qeveri apo edhe tek ky vend. Shpresa ime janë këta njerëz që shihni sot këtu. Këtu do të gjejë forcë lëvizja, këta janë njerëzit që do të na çojnë drej gjeneratës së ardhshme të luftëtarëve“, thotë KEVIN DUARTE përfitues i programit “DACA”.

Urdhërohet dëshmi lidhur me dokumetet për hetimet Trump – Rusi

Adam Schiff

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar dëshmi për dokumentet e ndërlidhura me një dosje, në të cilën pretendohet se Rusia kishte mbledhur informacione komprometuse për presidentin amerikan, Donald Trump, ka thënë mbrëmë demokrati, Adam Schiff.

Gjatë një intervisste për rrjetin MSNBC, ai theksoi se edhe demokratët e tjerë në këtë komitet e kanë kundërshtuar urdhërin për dëshmi, për të cilin ai konsideron se republikanët e kanë bërë përpjekje për ta diskredituar autorin e dosjes, Christopher Steele, ish-oficer britanik i inteligjencës.

Agjencia Associated Press ka raportuar se komiteti ka urdhëruar dëshmi të përfaqësuesve të Departamentit të drejtësisë dhe të agjencsë FBI dhe u ka dhënë atyre afat, që deri më 14 të këtij muaji ta përgatisin një material.

Republikanët thonë se ata dëshirojnë të dinë se si ishte krijuar dosja dhe nëse ajo ishte përpiluar për ta sabotuar Donald Trumpin, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar.

Komiteti i Inteligjencës i Dhomës Përfaqësuese është njëri prej disa paneleve, që zhvillon hetime lidhur me akuzat për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Moskës dhe fushatës së zotit Trump.

Rusia e ka hedhur poshtë përzierjen, ndërsa Trump e ka kundërshtuar çfarëdo bashkëpunimi me Moskën.

Presidenti Trump i jep fund programit DACA

Administrata e presidentit Donald Trump i dha dje fund një programi që mbrojti 800 mijë emigrantë pa dokumenta nga deportimi, por i dha Kongresit gjashtë muaj kohë për të vepruar, në se kërkon të vazhdojë t’i mbrojë ata të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara, pasi prindërit e e tyre i sollën ilegalisht në këtë vend.

Presidenti Trump e miratoi vendimin, por dërgoi Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions para kamerave të bënte njoftimin për ndryshimin e kësaj politike të debatueshme. Sessions i dha fund urdhërit ekzekutiv pesë-vjeçar të presidentit Barack Obama që krijoi programin Daca me një deklaratë të prerë: “DACA shfuqizohet.”

Në një deklaratë të publikuar më pas, presidenti Trump tha se “ai nuk favorizon dënimin e fëmijëve, shumica e të cilëve janë tani të rritur, për veprimet e prindërve të tyre. Por ne duhet të pranojmë gjithashtu se jemi vend i zbatimit të ligjeve”. Ashtu siç e kam thënë më parë, ne do ta zgjidhim çështjen DACA me zemër dhe bujari – por përmes një procesi demokratik të ligjshëm”, shtoi presidenti.

Programi lejonte të rinjtë, që zakonisht kishin hyrë në vend kur kanë qënë gjashtë vjeç, shumica nga Meksika dhe vendet e Amerikës Qëndrore, të punonin dhe studionin në Shtetet e Bashkuara dhe të shërbenin në ushtri.

“Ne nuk mund të pranojmë këdo që kërkon të vijë këtu”, u tha zoti Sessions gazetarëve. “Të gjithë nuk mund të pranohen.” Ai shtoi se kufizimi i imigracionit “do të thotë se ne po zbatojmë ligjet tona.”

Imigrantët pa dokumenta, të njohur si Ëndrimtarët, kanë njohur vetëm Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre, por duke filluar nga fillimi i marsit, mund të deportohen në vendet e origjinës në se Kongresi nuk vepron për të bllokuar deportimin e tyre.

“Kongresi të përgatitet të bëjë punën – DACA,” tha presidentit Trump sot në një koment në Twitter para njoftimit zyrtar për shfuqizimin e programit.

Askush nuk do të ndikohet para 5 marsit, 2018

Sessions, një konservator i ligjit të imigracionit që i kishte kërkuar presidentit Trump t’i jepte fund programit, nuk pranoi pyetje nga gazetarët kur bëri njoftimin për t’i dhënë fund mbrojtjes ndaj deportimeve masive.

Shefja në detyrë për Sigurinë Kombëtare, Elaine Duke tha në një deklaratë, “vendimi i kësaj administrate për të shfuqizuar programin DACA nuk ishte i lehtë. Departamenti i Drejtësisë ka vlerësuar me kujdes kushtetueshmërinë e programit dhe vendosi se ai është në kundërshtim me ligjet ekzistuese të imigracionit.”

Ajo shtoi se, “si rezultat i kësaj çështje ligjore, ne u përballëm me dy opsione; t’i jepnim fund programit në një mënyrë të rregullt duke mbrojtur përfituesit e tij në një afat të shkurtër kohor, ndërsa punojmë me Kongresin për të miratuar ligjin; ose të lejojmë që gjyqësori të mbyllte programin përfundimisht dhe në mënyrë të menjëhershme. Ne zgjodhëm opsionin më pak pengues.”

Zonja Duke tha se prokurorët e përgjithshëm të disa shteteve, përfshi Teksasin, u kishin thënë zyrtarëve të Sigurisë Kombëtare se nëse administrate nuk do të merrte hapa për t’i dhënë fund programit të zotit Obama deri të martën, ata do të kërkonin një urdhër të gjykatës për të mbyllur programin. Ligjvënësit konservatorë dhe disa zyrtarë republikanë kanë kohë që pretendojnë se urdhëri i ish presidentit Obama përbën shkelje të kompetencave të degës ekzekutive.

Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare tha se “asnjë nga përfituesit” e programit nuk do të ndikohet deri në datën 5 mars, 2018 duke i dhënë Kongresit shansin të veprojë për të miratuar një ligj.

Reagimet

Ligjvënës të rëndësishëm dhe drejtues të biznesit po i bëjnë thirrje Kongresit që të miratojë legjislacionin për të mbrojtur 800,000 imigrantë të rinj pa dokumenta nga deportimi, pasi Presidenti Donald Trump vendosi t’i japë fund një programi që i lejoi ata të qëndronin në Shtetet e Bashkuara për të studiuar, punuar dhe shërbyer në ushtri, vite pasi prindërit e tyre në mënyrë të paligjshme i sollën ata në vend.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, Paul Ryan tha se shpresonte që Kongresi “me udhëheqjen e presidentit do të jetë në gjendje të gjejë konsensus për një zgjidhje të përhershme legjislative që përfshin sigurimin se ata që nuk kanë bërë asgjë të gabuar mund të kontribuojnë ende si një pjesë e çmuar e këtij vendi të madh “.

Ryan tha se programi DACA i vitit 2012 i krijuar nga ish-presidenti Barak Obama, “megjithëse me qëllim të mirë … ishte një keqpërdorim i qartë i autoritetit të ekzekutivit”. Por tani, tha Ryan, “ka më shumë për të bërë” për të mbrojtur “të rinjtë që erdhën në këtë vend jo për fajin e tyre”, si dhe për arritjen e marrëveshjeve për sigurinë e kufirit dhe çështje të tjera të imigracionit.

Senatori Rand Paul, një republikan që vitin e kaluar nuk arriti të siguronte kandidaturën presidenciale të partisë, tha: “Akti ekzekutiv i Presidentit Obama ishte i paligjshëm, por ky është një problem real që duhet ta zgjidhim në mënyrë dypartiake”.

Senatori John McCain, kandidati republikan i republikanëve në zgjedhjet presidenciale 2008, i cili humbi ndaj Barack Obamës, tha: “Vendimi i Presidentit Trump për të eliminuar programin DACA është qasja e gabuar në politikën e emigracionit në një kohë kur të dyja palët duhet të bashkohen për të reformuar sistemin tonë të thyer të emigracionit dhe sigurimin e kufijëve.

Me këtë akt Presidenti Trump përmbush një nga zotimet kryesore të fushatës.

Menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, u duk se presidenti po e zbuste tonin në adresë të atyre që janë sjellë ilegalisht në këtë vend kur ishin fëmijë.

“Do të tregojmë që kemi zemër të madhe. DACA është një temë shumë, shumë e vështirë,” pati thënë presidenti.

Por presidenti dhe shumë republikanë në Kongres besojnë se programi DACA është një akt i paligjshëm, pasi anashkaloi Kongresin. Me anullimin e tij afro 800 mijë imigrantë të paligjshëm mund të jenë nën rrezikun e deportimit.

Ceasar Vargas, Koalicioni “Dream Action”

“Si jurist, si person i mbrojtur nga DACA, unë rrezikohem të humbas të drejtën për të praktikuar profesionin, të drejtën e punës, pantentën e makinës,” thotë aktivisti Ceasar Vargas.

Zyrtarët kanë thënë se masa shoqërohet me një afat kohor për t’i dhënë mundësi Kongresit të merret me këtë temë:

Bernie Sanders, senator

“I them Kongresit amerikan, se nëse Presidenti Trump i përmbahet këtij vendimi të pashpirt, ne e kemi për detyrë të miratojmë një ligj që të mbrojmë këta të rinj dhe t’i japim programit formë të përhershme,” thotë Senatori Bernie Sanders.

Anëtarët e Kongresit nuk ishin pjesë e procesit për hartimin e këtij programi, i cili u krijua me urdhër ekzekutiv të ish-presidentit Obama.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan ka thënë se Kongresi duhet të gjejë një mënyrë për t’i mbrojtur të rinjtë që mbulohen nga programi DACA.

Profesori i jurisprudencës David Abraham, i cili foli përmes Skype-it thotë se ka ndërlikime të tjera nga ky vendim:

“Bëhet fjalë për 800 mijë vetë, gjysma e tyre në Teksas dhe Kaliforni, të cilët janë pjesëtarë shumë produktivë të shoqërisë: vazhdojnë studimet, shërbejnë në forcat e armatosura, jetojnë një jetë të pastër, pasi një ndër kërkesat për mbrojtje nga DACA është të mos kenë pasur përplasje me ligjin”.

Një betejë e re politike hapet në Uashington, ndërkohë që në të gjithë vendin qindra mijëra të rinj janë para një të ardhmeje të paqartë.

Trumpi ndërmerr hap kundrejt Koresë së Veriut

“Po lejoj Japoninë dhe Korenë e Jugut të blejnë sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake shumë të sofistikuara nga SHBA-të”, është shprehur Trump në llogarinë e tij në Twitter

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donlad Trump, ka bërë të ditur se ka dhënë pëlqimin që Koreja e Jugut dhe Japonia të blejnë nga SHBA-të pajisje të sofistikuara ushtarake në sasi të mëdha.

“Po lejoj Japoninë dhe Korenë e Jugut të blejnë sasi të konsiderueshme të pajisjeve ushtarake shumë të sofistikuara nga SHBA-të”, është shprehur Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Në një deklaratë më herët nga Shtëpia e Bardhë thuhej se Trump ka zhvilluar bisedë me presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in dhe kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me provën e bombës hidrogjenike më 3 shtator nga Koreja e Veriut dhe se liderët kanë qëndrim të përbashkët kundër rrezikut që kanoset nga Koreja e Veriut.

Në deklaratë po ashtu u theksua se në bisedën me Moon, Trump ka miratuar në parim heqjen e kufizimit të kapacitetit të raketave të Koresë së Jugut dhe shitjen e armëve të reja në vlerë prej miliarda dollarëve këtij shteti.

“Dy liderët kanë rënë dakord të rritet presioni mbi Korenë e Veriut duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, thuhej në deklaratë. aa

Nesër vendimi i presidentit për Programin DACA

Protestojnë të rinj të përfshirë në Programin DACA

Presidenti Donald Trump pritet të njoftojë nesër vendimin për t’i dhënë fund një programi që mbron prej deportimit ata persona, të cilët u sollën në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.

Sipas zyrtarëve që ua bënë të ditur gazetarëve këtë lëvizje të presidentit, vendimi pritet të shoqërohet dhe me një afat 6 mujor si kohë që i jepet Kongresin për të trajtuar këtë çështje. Programi u krijua nëpërmjet një urdhri ekzekutiv të ish-Presidentit Barak Obama dhe ligjvënësit nuk u përfshinë në proces.

Zyrtarët lanë të hapur mundësinë që presidenti Trump mund të ndryshojë mendje lidhur me këtë çështje.

Ai që njihet si programi DACA ka shtyrë dëbimin për rreth 800 mijë personave duke u ofruar leje pune dy vjeçare me mundësi rinovimi aplikantëve që kualifikohen.

Mbetet e paqartë se çfarë ndodh nëse Kongresi nuk ndërmerr ndonjë veprim përpara përfundimit të afatit gjashtëmujor, apo se çfarë ndodh me dikë, që ka nevojë për rinovim të lejës së punës gjatë kësaj periudhe.

Gjatë fushatës së tij për president zoti Trump premtoi ta mbyllë programin DACA, duke e quajtur atë si “amnisti”. Që nga marrja e detyrës, ai ka thënë se kjo çështje është një nga më të vështirat që ai ka trajtuar si president.

Shumë nga personat e përfshirë në program kanë ardhur që fëmijë në Shtetet e Bashkuara dhe nuk kanë lidhje me vendin e tyre të origjinës.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan si dhe disa ligjvënës të tjerë republikanë vazhdojnë t’i bëjnë thirrje presidentit të mos e anulojë programin. Zoti Ryan beson se Kongresi do të dalë me një zgjidhje për të mbrojtur personat e përfshirë në programin DACA.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomës e Përfaqësuesve Nancy Pelosi i kërkoi zoti Ryan që të punojë me demokratët këtë javë, për të gjetur një zgjidhje ligjore për ata persona që njihen ndryshe si “Dreamers” – Ëndërrimtarët.

SHBA do të mbrohet me “kapacitete bërthamore” nëse është e nevojshme

Presidenti amerikan, Donald Trump (djathtas) dhe lideri verikorean, Kim Jong Un.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se vendi i tij është i përgatitur të mbrojë veten dhe aleatët “duke përdorur gamën e plotë të kapaciteteve diplomatike, konvencionale dhe bërthamore”.

Komentet në një bisedë telefonike me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, vijnë pasi Koreja e Veriut ka kryer një provë me bombë hidrogjeni, me kapacitet për bartjen e raketave me rreze të gjatë.

Trump ka shkruar në Twitter se “fjalët dhe veprimet e Phenjanit vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara”.

Komentet e presidentit po ashtu pasojnë zotimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, se çdo kërcënim kundër SHBA-së do të pasojë me “reagim masiv ushtarak” dhe se Koreja e Veriut rrezikon “asgjësimin e plotë” me veprimet e saj.

“Ne nuk duam asgjësimin total të një vendi, përkatësisht Koresë Veriore. Por, siç e thashë, kemi shumë opsione për ta bërë këtë”, tha Mattis.

Në Gadishullin Korean, ndërkohë, ushtria e Koresë së Jugut tha se forcat e saj ajrore dhe ushtria kanë kryer stërvitje me raketa bërthamore, në përgjigje të shpërthimit të dyshuar të bombës me hidrogjen nga ana e Phenjanit.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugkoreane tha se ushtria ka simuluar sulm ndaj “lokacionit bërthamor të Koresë së Veriut, duke goditur caqe të caktuara në Detin Lindor”.

Tensionet e rritura janë përkeqësuar tutje në fundjavë pasi Koreja e Veriut ka thënë se ka tesuar me sukses një bombë hidorgjeni, me kapacitet për të bartur raketë balistike ndërkontinentale.

Media shtetërore verikoreane ka thënë se testi i gjashtë bërthamor i Phenjanit ka qenë një “sukses i përsosur” dhe një hap “i rëndësishëm” në kompletimin e programit bërthamor.

Programi me raketa bërthamore dhe balistike i Koresë së Veriut është i ndaluar me rezoluta të Kombeve të Bashkuara, por Phenjani vazhdon të bëjë prova, duke sfiduar gati të gjitha fuqitë botërore.

Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar fuqishëm testin e fundit bërthamor. Kina, aleate e Koresë Veriore, i ka bërë thirrje shtetit komunist të ndalojë “veprimet e gabuara”, ndërsa Rusia ka thënë se ato mund të çojnë në “pasoja serioze”.

Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Francës, Britanisë dhe Koresë së Jugut, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka caktuar për sot seancë, për të diskutuar krizën.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka dënuar testin e fundit bërthamor, duke e cilësuar si destabilizues për sigurinë rajonale.

Një bombë hidrogjeni është më e fuqishme se një bombë e rregullt atomike.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA do t’i japë “përgjigje masive ushtarake” çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo kërcënim i Koresë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj do të përballet me një “reagim masiv ushtarak … efektiv dhe dërmues”.

Sekretari Mattis foli jashtë Shtëpisë së Bardhë pasi që ai dhe këshilltarë të tjerë të lartë u takuan me presidentin Donald Trump, pas provës së një bombe me hidrogjen që kreu të dielën Koreja e Veriut.

Mattis tha se Shtetet e Bashkuara kanë shumë mundësi në tryezë, përfshirë dhe veprimet ushtarake dhe presidenti dëshironte dëgjonte mbi të gjitha ato.

Shefi i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara “nuk janë duke kërkuar asgjësimin e tërësishëm të Koresë së Veriu”. Megjithatë ai u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë të mbrojnë veten dhe aleatët dhe se përkushtimi i Amerikës ndaj aleatëve është “i hekurt”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka ftuar një takim emergjent për të hënën lidhur me situatën në Kore.

Presidenti Trump tha më herët se po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së tregtisë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut dhe nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi si përgjigje ndaj veprimeve të Phenianit.

Koreja e Veriut kreu të dielën provën e gjashtë bërthamore, duke thënë se ka shpërthyer me sukses bombën bërthamore me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë ndërkontinentale. Sipas njoftimeve, shpërthimi ka tronditur ndërtesa deri në Kinë dhe në Rusi.

Thirrja për bojkotim ekonomik ndaj vendeve që kanë marrëdhënie biznesi me Korenë e Veriut do të dëmtonte tregtinë me vlerën vjetore të rreth 650 miliardë dollarëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pekini është i vetmi vend dhe partneri më i madh tregtar i Phenianit.

Sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin tha në një intervistë për televizionin “FOX NEWS” se është duke u shqyrtuar një paketë e re sanksionesh ekonomike ndaj Koresë së Veriut.

“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë, do të bashkëpunojmë me Kinën – tha ai, – por duhen prerë marrëdhëniet ekonomike me Korenë e Veriut, për shkak të sjelljes së papranueshme të këtij vendi.”

Një zyrtar amerikan i zbulimit tha se SHBA nuk kanë dyshim se Koreja e Veriut ka shpërthyer një bombë bërthamore, 10 herë më të fuqishme se sa atë që aktivizoi një vit më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e dënoi provën bërthamore të Koresë së Veriut si “një veprim thellësisht destabilizues për sigurinë rajonale”.

SHBA, gjendje e jashtëzakonshme nga zjarret në pyje në Kaliforni

Mbi 25 mijë zjarrfikës janë duke luftuar me stuhitë e zjarrit në rajonet e Kalifornisë, Nevadës, Oregonit dhe Montanës

NEW YORK – Guvernatori i Kalifornisë në SHBA, Jerry Brown ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme nga shkaku i zjarreve në pyje të cilat janë përhapur në veri të shtetit.

Edhe guvernatori i shtetit federal Montana, Steve Bullock, ka shpallur gjendje të katastrofës natyrore.

Ndërsa në rajonin e Teksasit uragani Harvey është duke shkaktuar kërdi, ndërsa në perëndim të vendit aktualisht janë aktive 56 zjarre.

Mbi 25 mijë zjarrfikës janë duke luftuar me stuhitë e zjarrit në rajonet e Kalifornisë, Nevadës, Oregonit dhe Montanës.

Guvernatori i Kalifornisë Brown shpalli gjendje të jashtëzakonshme meqë zjarri ka shkatërruar 1.500 hektarë tokë dhe 30 shtëpi në veri të shtetit.

Zyra e tij njoftoi gjithashtu evakuimin e rreth 500 shtëpive në zonën e qarkut Butte, rreth 140 kilometra nga Sakramento.

Konfirmohet se nuk ka viktima në njerëz por se është vështirësuar furnizimi me energji elektrike dhe se disa rrugë janë të mbyllura, ndërsa zëdhënësja e njësitit zjarrfikës në Los Angeles, Margaret Stewart, tha se janë evakuuar rreth 200 shtëpi.

SHBA-të urdhërojnë Rusinë të mbyllë 3 godina diplomatike

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha se masat e ndërmarra janë në përputhje me paritetin si kundërpërgjigje ndaj masave ruse

UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë urdhëruar Rusinë të mbyll tre godina diplomatike, me afat përfundimtar më 2 shtator, duke i dhënë një shkëndi tjetër konfliktit diplomatik mes dy prej fuqive botërore.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) tha se masat e ndërmarra janë në përputhje me paritetitn si kundërpërgjigje ndaj masave ruse, pasi paraprakisht Moska zyrtare urdhëroi SHBA-të të reduktojnë stafin diplomatik në Rusi.

Në mesin e ndërtesave të mbyllura do të jetë konsullata e Përgjithshme në San Francisco, një aneks zyre në Washington, dhe një aneks konsullor në New York.

Konsullata në San Francisco, është objekti më i vjetër diplomatik i Rusisë në SHBA.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov është njoftuar për masat e reja gjatë një bisede telefonike të cilën të enjten e ka zhvilluar me homologun e tij amerikan Rex Tillerson, bisedë kjo e cila është përshkruar si “shumë profesionale”.

“Të dyja shtetet do të kenë nga tre konsullata në shtetin tjetër”, tha zëdhënësja e DASH-it, Heather Nauert.

Nauert njoftoi se asnjë zyrtar rus nuk u përjashtua si pjesë e masave të reja amerikane dhe se Rusia mund të ricaktojë personelin e saj në postet e tjera nëse dëshiron ta bëjë këtë. aa

SHBA paralajmëron Birmaninë për dhunën në Arakan

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar që forcat e sigurisë të Birmanisë të distancohen nga sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë

KOMBET E BASHKUARA – Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar që forcat e sigurisë të Birmanisë të distancohen nga sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë.

Në një deklaratë me shkrim Haley ka theksur se janë duke ndjekur nga afër ngjarjet e dhunshme që nisën më 25 gusht në rajonin Arakan (Rakhine) të Birmanisë dhe se këtë çështje e kanë diskutuar edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Pasi ka vënë në dukje se operacionet e ushtrisë së Birmanisë kanë rritur tensionet pasi milicët e Ushtrisë Çlirimtare të Arakan Rohingya (ARSA) sulmuan forcat e sigurisë së Birmanisë, Haley ka theksuar se si pasojë e kësaj ka informacione se kanë humbur jetën civilët, janë djegur fshatra dhe mijëra të tjerë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Ndër të tjera duke vënë theksin se dënojnë sulmin e kryer kundrejt forcave të sigurisë Haley ka thënë: “Bashkë me këtë forcat e sigurisë së Birmanisë që ndërmarrin operacionet kanë përgjegjësinë që të jenë në përputhje me ligjin ndërkombëtar njerëzor dhe të distancohen nga sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe punonjësve humanitarë. Autoritetet duhet të sigurojnë mbërritjen e ndihmave për personat në nevojë. Të gjithë anëtarëve të KS-OKB-së i bëjmë thirrje që të ofrojnë mbështetje që qeveria e Birmanisë të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë komuniteteve në Arakan”.

Më tej Haley ka shtuar se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje që qeveria e Birmanisë të vendosë në zbatueshmëri sa më parë rekomandimet në raportin e përgatitur nga Komisioni i ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan për rajonin Arakan. aa

SHBA: Dëgjim privat i djalit të presidentit Trump

Donald Trump i riu

Komiteti i drejtësisë i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka shpallur se djali i presidentit amerikan, Donald Trump, është pajtuar të dëshmojë privatisht në këtë komitet, i cili po zhvillon hetime lidhur me akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Donald Trump i riu, po ashtu, është pajtuar të paraqesë dokumente që janë kërkuar nga ky komitet, kanë thënë mbrëmë në deklaratën e përbashkët, kryesuesi republikan i komitetit, Chuck Grassley, dhe demokratja e njohur, Dianne Feinstein.

Sipas raporteve në media, hetuesit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe në Departamentin e drejtësisë janë fokusuar në takimin e djalit të presidentit Trump me disa rusë, në qershor të vitit 2016, në të cilin atij i ishte premtuar se do të ketë informacione të dëmshme për rivalen presidenciale demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet presidenciale.

Derisa Donald Trump i riu i ka publikuar emailat lidhur me këtë takim, ai ka thënë se nga ky takim nuk ka pasur asgjë të vlefshme për fushatën e babait të tij, Donald Trump, dhe se kjo nuk paraqet marrëveshje të fshehtë me rusët.

Hjuston: Imponohet orë policore për parandalimin e plaçkitjeve

Njerëzit në Huston duke u larguar nga hapësirat e vërshuara

Zyrtarët e qytetit Hjuston, i cili është përfshirë nga vërshimet, mbrëmë vonë kanë shpallur orë policore për parandalimin e plaçkitjeve në hapësirat e evakuuara, derisa të reshurat e shiut gjatë uraganit Harvey, kanë arritur rekord të ri në pjesën kontinentale të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët thanë se ora policore në Hjuston, që është qyteti i katërt më i madh në Shtetet e Bashkuara, do të imponohet prej orës 5 të mëngjesit e do të vazhdoj i pakufizuar.

“Ju nuk mund ta drejtoni makinën e as të jeni në ndonjë vend publik”, tha shefi i policisë në Hjuston, Art Acevedo, dhe ka shtuar se “ne kemi pasur problem me plaçkitje të armatosura, me njerëz me armë”.

Zyrtarët e Hjustonit thonë se po përgatiten për strehimin e përkohshëm të 19 mijë njerëzve, derisa Kryqi i Kuq Amerikan, tha se 17 mijë njerëz kanë kërkuar strehim.

Policia tha se i ka shpëtuar më se 13 mijë vetë nga uji i vërshimeve në Hjuston.

Autoritetet kanë raportuar për dhjetëra të vdekur nga vërshimet.

Gjatë vizitës në rajonin e përfshirë nga vërshimet gjatë ditës së djeshme, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kjo katastrofë ishte “me përmasa epike”

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë në Teksas

Presidenti Donald Trump ka mbërritur në Corpus Christi të Teksasit dhe po informohet për situatën e përmbytjeve që kanë përfshirë pjesë të këtij shteti dhe të Luizianës fqinje.

Presidenti po inspekton nga afër punën e qeverisë për të ndihmuar banorët që përballen me shkatërrimet e mëdha.

Zyrtarët e agjencisë federale të emergjencave thanë se puna për të kapërcyer pasojat e stuhisë do të jetë një përpjekje afatgjatë.

Është hera e parë që zoti Trump vihet në provë nga një fatkeqësi e madhe natyrore në fillimet e administratës së tij.

Ai po takohet me zyrtarë të Teksasit në qendrën e operacioneve të ndihmës në Austin, i shoqëruar nga zonja e Parë, Melania dhe zyrtarë të tjerë.

Kongresmeni i Teksasit Blake Farenthold tha se kushtet në Houston nuk janë ende të përshtatshme që presidenti të shkojë atje, por është me rëndësi që ai të shohë me sytë e tij shkatërrimet.

Një zëdhënëse tha se Presidenti Trump synon të tregohet shumë i kujdesshëm që aktivitetet e tij të mos pengojnë përpjekjet e ndihmave në Teksas.

Qindra udhëheqës fetarë bëjnë thirrje për drejtësi për të gjithë

Ata thonë se Zoti i dëgjon lutjet, dhe marshimi ishte një lutje për drejtësi. Jo të gjunjëzuar, por në marshim, duke kërkuar dhënien fund të racizmit, antisemitizmit dhe diskriminimit. Catherine Lynch është e komunitetit LGBT dhe e fesë hebraike.

“Nuk është vetëm çështje e zezakve, por edhe e hebrenjëve. Është një çështje për të gjithë ne, sepse të gjithë ne kemi një pjesë të asaj që jemi që është vënë në shënjestër nga këto grupe.”

Me fjalën “këto grupe” ajo i referohet një incidenti të dy javëve më parë në Sharlotsvill, Virxhinia. Një grup supremacistësh të bardhë dhe ekstremistë të tjerë mbajtën një tubim dy-ditor, që u shënua me shprehje të urrejtjes. Një supremacist i bardhë ngau makinën mbi një turmë anti-protestuesish, duke vrarë një grua dhe lënduar 19 të tjerë.

Që nga atëherë, shumë thonë se vendi ka bërë një hap prapra në kohë dhe tani është i ndarë në mënyrë të rrezikshme.

E përndershmja JoAnn Hilton mbrojti doktoraturën me temën e drejtësisë sociale në sherbesat fetare. Ajo thotë se u takon udhëheqësve fetarë që ta përhapin dhe predikojnë këtë ide.

“Njerëzit i ka zënë gjumi. Mendojnë se jemi në një shoqëri pas racore, por nuk jemi. Racizmi ka qënë i maskuar, por tani me presidentin e ri, ka dalë në sipërfaqe.”

Aaron Shingler është mësues i shkollës së të dielës.

“ Nuk e di me të vërtetë axhendën e tij, por është një axhendë që nuk nxit drejtësinë.”

Një ndalesë e pa planifikuar gjatë marshimit. Një lutje në “Hotelin Trump International” në Bulevardin Pennsylvania. Shumë kanë marshuar në këtë rrugë gjatë epokës së të drejtave civile në vitet 60-të. Tani ata janë me gjeneratën tjetër. Tiffany Rose është një prej tyre.

“Kur shohim që ndodhin padrejtësi në këtë vend, ne duhet të ngrihemi dhe të na dëgjohet zëri.”

Marshimi përfundoi para Departamentit të Drejtësisë. Nuk pati koment të menjëhershëm nga administrata e Presidentit Trump, por pak pas dhunës në Sharlotsvill, Prokurori i Përgjithëshëm Jeff Sessions tha se ndante pikpamjet e presidentit.

“Racizmi, supremacia a bardhë janë tërërisht të papranueshme.”

Por kjo mund të mos jetë e mjaftueshme për këta marshues.

Shtohen spekulimet rreth një largimi të sekretarit Tillerson

Në Uashington janë shtuar spekulimet se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson mund të largohet së shpejti nga administrata, pas komenteve që ai dhe një ndihmës u dhanë gazetarëve gjatë dy ditëve të fundit.

Zoti Tillerson drekoi të hënën me presidentin Donald Trump dhe nënpresidentin Mike Pence. Më vonë gjatë ditës, zoti Pence u takua me ambasadoren e SHBA në Kombet e Bashkuara Nikki Haley. Përkimi i takimeve bëri që vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë të komentonin mbi mundësinë që zonja Haley të marrë postin e zotit Tillerson, nëse ai largohet.

Në një intervistë me “Fox News Sunday”, zoti Tillerson u pyet rreth përgjigjes mjaft të kritikuar të dhënë nga Presidenti Trump për dhunën vdekjeprurëse në Sharlotsville të Virxhinias këtë muaj, pas një tubimi nga supremacistët e bardhë që rezultoi në përplasje me kundërprotestuesit.

Zoti Trump shkaktoi zemërim kur fajësoi fillimisht të dyja palët njëlloj për trazirat. Ligjvënës të Partisë Republikane të zotit Trump dhe shumë komentues e akuzuan presidentin se nuk dënoi në mënyrë të veçantë mbështetësit e racizmit si diçka e papranueshme.

Diplomati më i lartë amerikan u pyet këtë javë nëse komentet e zotit Trump, të cilat u panë si vënie e shenjës së barazimit mes supremacistëve të bardhë dhe demonstruesve të ekstremit të majtë, pasqyronin vlerat amerikane.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pas intervistës me moderatorin Chris Wallace të programit FOX News Sunday.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson pas intervistës me moderatorin Chris Wallace të programit FOX News Sunday.

Tillerson tha fillimisht: “Nuk besoj se dikush dyshon në vlerat e popullit amerikan, ose në angazhimin e qeverisë amerikane, apo të agjencive të qeverisë për avancimin e këtyre vlerave dhe mbrojtjen e tyre”.

Kur moderatori Chris Wallace e pyti konkretisht rreth vlerave të zotit Trump, sekretari Tillerson u përgjigj: “Presidenti flet vetë për veten e tij,” pa dhënë shpjegime të mëtejshme.

Një ndihmës i zotit Tillerson mohoi të hënën se ky koment përbënte një kritikë ndaj vlerave të zotit Trump, por nuk pranoi ta zbuste komentin.

“Vlerat fillojnë nga Kushtetuta”, tha për televizionin CNN ndihmësi i cili nuk dëshiroi të identifikohej. “Puna e presidentit është t’i mbrojë këto vlera. A bëri ai më të mirën në përgjigje të ngjarjeve në Sharlotsville? Jo. Por kjo nuk do të thotë se Amerika ndryshoi”.

Ndihmësi shtoi, “Kjo është arsyeja pse presidenti flet për veten e tij, sepse është Kushtetuta që flet për vendin”.

Komentet njëri pas tjetrit të bëra nga zoti Tillerson dhe ndihmësi i tij u pritën me habi nga vëzhguesit e Shtëpisë së Bardhë.

Thomas Whalen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Bostonit, tha se deklarata që Kushtetuta dhe jo presidenti flet për vendin “tregon përçmim ndaj stilit autoritar të zotit Trump në menaxhimin e presidencës”. Ai i përshkroi fjalët e ndihmësit të zotit Tillerson si “një lamtumirë ndaj zotit Trump”.

Faqja e lajmeve në internet Axios njoftoi të hënën se zhgënjimi i Presidentit Trump me sekretarin Tillerson ishte shfaqur sidomos pas një takimi të fundit rreth Afganistanit.

“Rex Tillerson thjesht nuk e kupton, ai i takon krejtësisht klasës politike tradicionale në mendimin e tij”, tha zoti Trump, sipas një burimi të cituar nga Axios.

Faqja e internetit njoftoi se Tillerson ishte në kundërshtim me Presidentin Trump në disa çështje të politikës së jashtme, duke përfshirë tensionet në Katar dhe sanksionet kundër Venezuelës dhe se zyrtarët e administratës e kishin të vështirë të kuptonin se përse sekretari i shtetit nuk i kishte plotësuar disa pozicione të larta politike në Departamentin e Shtetit.

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Zëdhënësi i zotit Tillerson, R.C. Hammond, fajësoi për këtë një sistem “që nuk funksionon”, sipas Axios. Faqja e internetit citonte zotin Hammond të kishte thënë se “Sekretari dërgon rekomandime, por ato mbeten në sirtar.”

Sipas vëzhguesve politikë që biseduan me Zërin e Amerikës, një largim i zotit Tillerson nuk do të bënte tjetër veçse do ta shtonte konfuzionin që ka karakterizuar muajt e parë të administratës.

Cindy Saine kontribuoi për këtë raport.

SHBA – Pas dëbimit të emigrantëve mungon krahu i punës

Një zonë rurale në Pensilvani po përballet me pasojat e ashpërsimit të politikave të administratës Trump ndaj emigracionit të paligjshëm. Bizneset dhe ekonomia kryesisht agrare po përballet me mungesën e punëtorëve. Disa fermerë të drurëve frutorë dhe aktivistë vendas pro-emigracionit janë bashkuar për të lobuar ligjvënësit dhe për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e emigrantëve, në një zonë që votoi në mënyrë masive vitin e kaluar për Presidentin Donald Trump.

Makinat klasike garojnë gjatë një panairi në bashkinë Adams, të Pensilvanisë.

Në këtë periudhë, këtu mblidhen njerëz nga mbarë rajoni.

Shumica thonë se votuan për Donald Trump-in në zgjedhjet e vjetshme.

Kim Sanders, e cila punon në një kompani transporti, mbështet me forcë Presidentin.

“Mendoj se ai po punon mirë, por media nuk i jep imazh pozitiv”, thotë Sanders.

Por, si shumë të tjerë, kur pyetet rreth politikave të Presidentit Trump për emigracionin, zonja Sanders është kundër dëbimit të emigrantëve pa dokumente.

“Nuk ka mjaftueshëm amerikanë që të punojnë në ferma për të mbjellë pemët apo për të mbledhur zarzavate, siç bëjnë emigrantët”, thotë ajo.

Kjo nuk është për t’u habitur në një zonë që varet nga bujqësia. Papunësinë këtu e ka mbajtur të ulët ekonomia e prodhimit të frutave, si dhe turistët që vijnë për të parë fushëbetejën historike në Gettysburg.

Ata që janë të papunë vijnë tek “CareerLink”, agjensia shtetërore që i ndihmon të gjejnë punë.

Por, pak prej tyre thonë se janë të gatshëm të bëjnë punën që bëjnë emigrantët hispanikë.

Ish-saldatori Glenn Hendrickson ndihmon si konsulent karriere.

“Kam shumë miq që kanë punuar gjatë verës duke mbledhur fruta, kur kanë qenë në shkollë të mesme, por nuk mendoj se duan ta ushtrojnë këtë si profesion”, thotë zoti Hendrickson.

Megjithatë, punëdhënësit e kanë tani të vështirë të plotësojnë vendet e punës të mbetura nga largimi i emigrantëve.

Administratori i “CareerLink”, Alan Dudley, thotë se kjo po ndodh në një periudhë

“Tani është sezoni i punësimit masiv. P.sh., firma ‘Knouse Foods’ shpalli tetë vende të reja pune këtë javë nëpërmjet nesh. Tani është e vështirë të gjejnë punëtorë”, thotë zoti Dudley.

Ndërsa ka filluar mbledhja e pjeshkëve, fermerët janë të shqetësuar se nuk do të kenë mjaftueshëm punëtorë për sezonin e mbledhjes së mollëve që pason.

Fermerja Kay Hollabaugh është e zemëruar me Kongresin që nuk e realizoi reformën e emigracionit.

“Ata që bëjnë ligjet e këtij vendi ushqehen çdo ditë. Dhe nuk u shkon mendja se kjo që unë po ha, dikush është duke e rritur në fermë”, thotë zonja Hollabaugh.

Ligjvënësi republikan Scott Perry, i cili përfaqëson distriktin që përmbledh bashkinë Adams, ka marrë shumë ankesa të tilla.

Gjatë pjesëmarrjes në një aktivitet të komunitetit, ligjvënësi thotë se fillimisht duhet siguruar kufiri dhe më pas të bihet dakort për një reformim të emigracionit.

“Derisa të bindemi që kufiri të jetë i sigurtë, do të vazhdojë të ketë mosbesim. Do të vazhdojmë të kemi vështirësi në mënyrën se si do të trajtojmë njerëzit që kanë ardhur këtu ilegalisht”, thotë ai.

Ndërkohë, aktivistë pro-emigracionit po organizojnë në Gettysburg manifestime të rregullta për të rritur ndërgjegjësimin.

Organizatorja Jenny Dumont e hedh poshtë argumentin për sigurinë e kufirit.

“Mendoj se ky argument është pjesë e lojës që i paraqet emigrantët si kriminelë, të nxitur nga administrata aktuale. Ndjesia ime është se njerëzit që kanë patur kontakte me emigrantët këtu, e mirëkuptojnë kontributin e tyre dhe janë në gjendje t’i shikojnë si thjesht njerëz dhe jo t’i emërtojnë vetëm si emigrantë”, thotë zonja Dumont.

Në fermat e pemëve frutore, punëtorët po seleksionojnë frutat. Sapo të hyjë vjeshta, mollët e mbetura në pemë do të jenë të gatshme për t’u vjelë. Fermerët nuk janë të sigurtë nëse do të kenë mjaftueshëm punëtorë që t’i mbledhin ato.

SHBA, inxhinieri i Volkswagenit dënohet me mbi 3 vite burg

James Robert Liang (63) u dënua me 40 muaj burg dhe 200.000 dollarë (rreth 168.000 euro) gjobë për shkak se ndihmoi Volkswagen-in në mashtrimin e testeve

SAN FRANCISCO – Gjykata e Qarkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten ka dënuar një inxhinier të Volkswagen-it me mbi tre vite burg për rolin e tij në skandalin e mashtrimit me testet e emetimit të gazrave.

James Robert Liang (63) u dënua me 40 muaj burg dhe 200.000 dollarë (rreth 168.000 euro) gjobë për shkak se ndihmoi Volkswagen-in në mashtrimin e testeve të qeverisë të emetimit të gazrave për disa automjete me motorë dizel.

Sean Cox, gjykatësja e Gjykatës së Qarkut në SHBA, shqiptoi dënim më të ashpër prej 36 muajve burg dhe 200.000 dollarë gjobë që kërkuan prokurorët. Liang nga ana tjetër kërkoi lirim me kusht dhe 1.500 orë punë të dobishme shoqërore.

Liang pas vuajtjes së dënimit do të lejohet të kthehet në vendin e tij, Gjermani. Po ashtu, ka të drejtë të ankimojë aktvendimin.

Ky vendim erdhi dy vite pas raportit se Volkswwgen ka shfrytëzuar softuer i cili ka mashtruar në testet për emetimet e gazrave të dëmshme, të cilat bëhen nga Qeveria. Vlerësohet se me këtë softuer ka pasur rreth 500.000 automjete të VW-së dhe Audi-t të cilat janë dërguar në periudhën prej vitit 2009 deri në vitin 2015. Bëhet fjalë për mashtrimin më të madh që Komisioni federal ka regjistruar në historinë e tij të gjatë 102 vite. aa

Teksasi është goditur nga një stuhi e fuqishme

Uragani Harvey në perifeti të qytetit Korpus Kristi

Shteti amerikan Teksas mbrëmë vonë është goditur nga stuhia më e fuqishme në dekadën e fundit.

Para se të arrinte në tokë, statusi i uraganit, Harvey, ishte ngritur në kategorinë e dytë më shkatërruese, me ç’rast shpejtësia e erës arrinte edhe në 130 kilometra në orë. Kjo stuhi ka kaluar 30 mila nga qyteti, Korpus Kristi, që i ka 320 mijë banorë, duke e shkatërruar rrymën elektrike dhe disa shtëpi.

Qendra Kombëtare për Uragane tha se stuhia mund të sjellë vërshime të rrezikshme për njerëzit në dhe rreth qytetit Hjuston, që është i katëri më i madhi në Shtetet e Bashkuara.

Vlerësohet se afro 6 milionë njerëz gjenden në trasenë e stuhisë.

Bizneset janë mbyllur ndërsa banorët janë nisur për tu larguar nga bregdeti i Teksasit, meqë zyrtarët kanë bërë thirrje për evakuim, para arrritjes së uraganit, Harvey.

SHBA: Hetime ndaj dy ish-ndihmësve të Trumpit për lidhjet ruse

Prokurori special Robert Mueller

Mediat amerikane kanë raportuar se kundër dy ish-ndihmësve të lartë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po zhvillohen hetime për lidhjet me rusët, nga ana e prokurorit special amerikan.

Rrjeti NBC News ka raportuar mbrëmë se prokurori special, Robert Mueller, u ka bërë thirrje për dëshmi para jurisë së madhe, personave ekzekutivë që kishin punuar me Paul Manafortin, ish-shef i fushatës së zotit Trump, për angazhimin e tij për ish-presidentin prorus të Ukrainës, Vktor Yanukovich, në periudhën 2012 – 2014.

Rrjeti NBC e ka cituar njërin prej personave ekzekutivë që është thirrë për dëshmi, që ka thënë se hetuesit “po përpiqen të zbulojnë” nëse fushata lobuese për partinë proruse të ish-presidentit Yanukovich, ishte “projekt legjitim”.

Zoti Manafort, banesa e të cilit raportohet se ishte bastisur nga agjentët e FBI-së gjatë muajit të kaluar, ka dalur si figura kryesore në hetime.

Pjesëmarrësit kanë thënë se ai ishte i pranishëm në takimin në qershor të vitit 2016, gjatë të cilit djali i Trumpit ishte takuar me një avokate ruse, e cila sipas disa emailave, kishte pretenduar se ka informacione të dëmshme për demokraten, Hillary Clinton, që ishte rivale e zotit Trump në zgjedhjet presidenciale.

Fitohet lotaria me vlerën më të madhe në SHBA, 758 milionë dollarë me një biletë

Vlera më e lartë e fituar ndonjëherë me një biletë të vetme llotarie në SHBA u arrit dje në mbrëmje në Masaçusets duke kapur vlerën e 758,7 milionë dollarëve, që mund të tërhiqen brenda vitit.

“Çmimi i madh i Powerball prej 758,7 milionë dollarëve u fitua nga një biletë e vetme në Masaçuset, vlera më e madhe në histori për një biletë të vetme”, shkruan në Twitter “Powerball USA”, duke theksuar sot në një komunikatë se edhe katër bileta të tjera kishin kapur vlera mbi një milion dollarë.

Mjaftonte të kishe zgjedhur shifrat 6, 7, 16, 23, 26 dhe 4.

Pronari i lumtur i kësaj bilete fituese, e blerë në një dyqan në qytetin e Chicopee (verilindje), ka në dispozicion një vit që të paraqitet.

Ai mund të zgjedhë që të marrë shumën e fituar me këste për 30 vite, që do të përkonte me shumën e çmimit të madh ose të marrë një shumë unike prej 480,5 milionë dollarë. Sipas “Powerball USA”, fituesit e çmimeve të mëdha zgjedhin gjithnjë pagesën unike.

Mattis: Rusia po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis akuzoi sot Rusinë se “po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë ndërkombëtarë” dhe përsëriti angazhimin e SHBA për të ndihmuar në rritjen e aftësive të forcave të armatosura ukrainase.

Shefi i Pentagoni i bëri komentet në Kiev, pas takimit me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe udhëheqës të tjerë të vendit.

“Përsa i përket furnizimit të Ukrainës me armë vdekjeprurëse, ne po e shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë aktive. Armët mbrojtëse nuk janë provokuese nëse nuk je agresor dhe sigurisht Ukraina nuk është agresore. Duke parë situatën aktuale do të mund të informoj Sekretarin e Shtetit dhe Presidentin në terma shumë konkrete, rreth asaj që unë rekomandoj për të ardhmen”, – tha shefi i Pentagonit, –

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën në të gjitha aspektet, tha Sekretari i Mbrojtjes:

“Ne ju mbështesim juve përballë kërcënimeve, mbështesim sovranitetin dhe tërësinë tuaj tokësore si dhe rendin ndërkombëtar në tërësi,” tha zoti Mattis.

Shefi i Pentagonit përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë kundër aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe megjithë mohimet e Rusisë, ne e dimë se ata po përpiqen të rishkruajnë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, duke minuar vendet sovrane dhe të lira të Evropës,” tha zoti Mattis.

Ai tha se sanksionet amerikane ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi derisa Moska të ndryshojë sjelljen e saj.

Rusia, – tha zoti Mattis, – nuk ka përmbushur angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes së Minskut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainën lindore si dhe marrëveshje të tjera të firmosuara prej saj.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Rusisë për të respektuar angazhimet e Minskut dhe sanksionet tona do të mbeten në fuqi derisa Moska të heqë dorë nga veprimet që i shkaktuan ato“, tha zoti Mattis.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike për gjendjen në Ukrainë.

Zoti Mattis është kreu i parë i Pentagonit që viziton Ukrainën në një dekadë. Ai mori pjesë në një paradë me rastin e ditës së pavarësisë që shënon shkëputjen e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Trumpi paraqet strategjinë për Afganistanin

Presidenti Donald Trump paraqiti të hënën mbrëma një strategji për politikën amerikane në Afganistan dhe në Azinë Jugore, duke thënë se amerikanët janë lodhur pa një fitore në luftën në Afganistan, më e gjata e ndërmarrë ndonjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një fjalim drejtuar vendit nga një bazë ushtarake në Fort Majer të Virxhinias pranë Uashingtonit, Presidenti Trump tha se SHBA duhet të përpiqen për një zgjidhje me nder dhe të qëndrueshme në Afganistan, zgjidhje që të jetë e denjë për sakrificat e bëra.

Ai tha se pasojat e një tërheqjeje të shpejtë do të krijonin një vakum që do të mbushej nga ekstremistët.

“Instinkti im fillestar ishte tërheqja,” tha Presidenti në fjalimin e tij. Por shtoi se ishte bindur nga këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare që të forconte aftësinë e SHBA për të mos lejuar talebanët të rrëzonin qeverinë e ka Kabulit të mbështetur nga Uashingtoni.

Presidenti nuk tha se sa forca amerikane do të dërgoheshin, por Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis ka plane për të dërgimin e rreth 4 mijë trupave shtesë, përveç 8 mijë e 400 që SHBA kanë të stacionuara në Afganistan.

Presidenti tha se trupat do të luftojnë për të fituar dhe se që tani e tutje fitorja do të ketë një përkufizim të qartë.

Objektivat amerikane në Afganistan, tha Presidenti Trump, do të përfshijnë fshirjen nga faqja e dheut të ISIS-it dhe moslejimin e talebanëve për të marrë nën kontroll Afganistanin.

Zoti Trump tha se për të arritur këto objektiva, ai do të zgjeronte autoritetin e trupave amerikane për të vënë shënjestër rrjetet kriminale dhe terroriste në Afganistan.

Presidenti bëri të ditur se SHBA do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar trupat afgane të sigurisë. Por ai paralajmëroi se mbështetja amerikane për Afganistanin nuk ishte e pakufizuar. Ai tha se Afganistani duhet të tregojë një angazhim serioz dhe të ndërmarrë hapa për të luftuar probleme të tilla të përhapura si korrupsioni.

“Durimi ynë nuk është pa kufi. Ne do t’i mbajmë sytë hapur,” tha zoti Trump.

Presidenti Trump kritikoi gjithashtu Pakistanin, që ai tha se ka vepruar si strehë e sigurt për “agjentët e kaosit”.

SHBA, përfundon eklipsi i rrallë diellor

Në SHBA miliona njerëz patën rastin të shikojnë eklipsin e plotë diellor, i pari në gati një shekull që shtrihej nga njëri breg në tjetrin.

Eklipsi i plotë përfundoi në Karolinën e Jugut.

Njerëzit shihnin me habi se si hëna bllokoi plotësisht diellin, duke e kthyer ditën në gati muzg.

Bllokimi i plotë i hënës zgjaste rreth 2 minuta në secilin prej vendeve prej nga mund të shihej eklipsi, në korridorin e ngushtë që shtrihej përgjatë gjithë territorit kontinental amerikan nga Oregoni në Charleston të Karolinës së Jugut.

Në total, eklipsi zgjati rreth 90 minuta në të gjithë vendin.

Qytete dhe parqe të shumta në rrugën e eklipsit ishin mbushur plot me njerëz që e pritën këtë ngjarje të rrallë me duartrokitje dhe brohoritje.

Eklipsi i fundit nga njëri breg në tjetrin në SHBA ndodhi në vitin 1918.

E bija e Senatorit John Mc Cain lajmëron në Twitter: Lufta vazhdon!

E bija e Senatorit John Mc Cain,  Meghan McCain lajmëron në Twitter: “Babai im përfundoi raundin e parë të terapisë me rrezatim dhe kemio. Forca e tij për t’u ripërtritur është e pabesueshme. Lufta vazhdon…
Meghan McCain  po ashtu ka marrë një tweet të bërë nga vetë Senatori Mc Cain në faqen e tij shoqëruar me një foto ku ka dalë gjatë kësaj fundjave me të bijën dhe miqtë e tij ish senatorin Joe Lieberman dhe  senatorin republikan Lindsey Graham, ku bën me dije se fundjava ka qenë shumë e mbarë e kaluar mes miqsh.
.

SHBA: Dhjetë marinarë të zhdukur

Luftanija amerikane USS John S. McCain

Marina e Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se 10 marinarë konsiderohen të zhdukur, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur, pasi një luftanije është ndeshur sot me një anije-cisternë në pjesën lindore të Singaporit.

Marina tha se luftanija, USS John S. McCain, u përplas me anijen-cisternë të naftës, Alnic MC, në orët e para të mëngjesit.

“Raportet e para paralajmërojnë se anija, John S. McCain, ka pësuar dëme”, thuhet në kumtesën e Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe theksohet se “kërkimi dhe përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë në koordinim me autoritetet lokale”.

Ky është incidenti i dytë në të cilin përfshihet një luftanije amerikane gjatë dy muajve të fundit në Paqësor.

Më 17 qershor shtatë marinarë humbën jetën kur luftanija, USS Fitzerald, dhe një anije transportuese, u ndeshën në Detin e Japonisë.

Amerikanët, në pritje të eklipsit të plotë të diellit

Të hënën, më 21 gusht – për herë të parë në 99 vjet – të gjithë Shtetet e Bashkuara do të përjetojnë një eklips të plotë diellor, prandaj emocionet kanë përfshirë të gjithë vendin. Ekspertët i këshillojnë njerëzit të përdorin lente mbrojtëse të posaçme për të parë eklipsin, por, siç do të mësojmë në materialin në vazhdim, gjetja e tyre po bëhet shumë e vështirë.

Pas pritjes në trafik pranë fabrikës së birrës Lagunitas me orë të tëra, Sarah McKnight u zhgënjye.

Ajo kishte udhëtuar mbi 160 kilometra jo për birrë, por diçka që është bërë e pamundur për t’u gjetur kudo në shtetet e rajonit Midwest të Shteteve të Bashkuara – lente mbrojtëse, posaçërisht për të parë eklipsin e plotë të diellit me 21 gusht.

“Sapo arritëm, ata po thonin se nuk kishte më lente”, thotë McKnight.

“Gjëja më e kërkuar tani është një copë kartoni me lente shumë specifike që ju lejojnë të shikoni diellin gjatë eklipsit” – thotë Sarah Cole.

Sarah Cole është nënkryetare e “Adler Planetarium” të Çikagos, që sponsorizoi aktivitetin ku lentet jepeshin falas në Lagunitas Brewery. Ishte planifikuar që në 12:30 të fillonte shpërndarja e një mijë lenteve.

Por, njerëzit filluan të viheshin në radhë në orën 4 të mëngjesit dhe për shkak të kërkesës së madhe, dhënia e lenteve filloi më herët, prandaj shumë njerëz përfunduan dorëbosh:

“Kërkesa është jashtëzakonisht e lartë. Kemi bërë përpjekje të mëdha për të provuar të japim sa më shumë prej tyre që të jetë e mundur. Dhe mendoj se ne nuk mund të kishim parashikuar disa nga sfidat që erdhën me përpjekjet për t’iu përgjigjur kërkesës” thotë zonja Cole.

Kjo ishte hera e fundit që “Adler Planetarium” jepte lente falas para eklipsit së 21 gushtit. Zonja Cole thotë se janë shpërndarë mbi 250,000 lente diellore.

“Menduam se një çerek milioni do të mjaftonte, duke patur parasysh se njerëzit do të kishin mënyra të tjera për t’i sigurua….”

Kërkesa ka krijuar një treg fitimprurës në internet për lente speciale, një nga mënyrat e vetme të tjera, përveç dhënies falas nga “Adler Planetarium”.

“Nuk ka më lente nëpër dyqane dhe tani nuk ka shumë mundësi për t’i siguruar”.

Megjithatë ato janë të nevojshme për të parë eklipsin:

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos shohin drejt diellit pa këtë lloj mbrojtjeje” shton zonja Cole.

Kjo do të thotë se, nëse Sarah McKnight nuk i gjen dot para eklipsit, ajo dhe djemtë e saj do të humbasin një mundësi që vjen njëherë në jetë.

“Duket sikur po kërkojmë për një biletë të artë. Kudo janë shitur, njerëzit thonë ‘s’ka më!’…por duhet të ketë mbetur një palë lente për ne, apo jo? Diku mund t’i gjejmë besoj” – thotë Sarah McKnight.

“Adler Planetarium” ka edhe disa të tjera… posaçërisht për t’i dhënë gjatë aktivitetit të organizuar atje për të parë eklipsin diellor.

Mattis do të vizitojë Ukrainën, Turqinë dhe Jordaninë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, do të udhëtojë gjatë javës së ardhshme në Ukrainë, për t’u takuar me presidentin e këtij vendi, Petro Poroshenko, dhe shefin e Mbrojtjes së Ukrainës.

Kievi e ka cilësuar këtë vizitë si hap, i cili mund të iniciojë një marrëveshje për mbrojtje.

Pentagoni ka thënë se përveç Ukrainës, Matiss do të vizitojë edhe Jordaninë dhe Turqinë.

Datat e sakta të vizitave ende nuk janë bërë të ditura.

Pritet që në Kiev, të diskutohet rreth kundërshtimeve të këtij vendi me Rusinë, e cila është ndëshkuar me sanksione amerikane dhe evropiane, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjes së separatistëve në lindje të Ukrainës.

Rusia e mohon një gjë të tillë.

Sipas një deklarate të lëshuar nga Pentagoni, thuhet se Mattis do të sigurojë se Shtetet e Bashkuara, janë “ të përkushtuara për të kthyer sovranitetin dhe integritetin territorial” në këtë vend.

Largohet kryekëshilltari i Donald Trumpit

Presidenti Donald Trump ka vendosur që të shkarkojë Stephen Bannon, kryekëshilltarin e administratës së tij, i njohur edhe si truri i strategjisë së fushatës që e solli në krye të Shtëpisë së Bardhë në 2016.

Sipas asaj që raporton New York Times, vendimin për largimin e Bannon Presidenti Trump e ka diskutuar me dy bashkëpunëtorë të afërt.

Por, duke cituar burime të afërta me Stephen Bannon, New York Times thotë se vendimi për të lënë Shtëpinë e Bardhë kryekëshilltari e kishte marrë që më 7 gusht, kur i kishte dorëzuar dorëheqjen në tavolinë shefit të tij.

Sipas Bannon, dorëheqja duhej të njoftohej në fillim të kësaj jave, por u shty për shkak të protestave në Charlottesville.

Mediat amerikane thonë se Bannon prej muajsh ishte në një përplasje të hapur me këshilltarët e tjerë të Presidentit, madje edhe me anëtarë të familjes së tij.

SHBA, sulmohet busti i Abraham Lincoln në Uashington

Një grup i vandalëve me spërkatës kanë shkruar mesazhe me përmbajtje fyese në njërën nga shtyllat e bustit të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln

UASHINGTON – Busti i ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Uashinton ishte në shënjestër të vandalëve të cilët me spërkatës kanë shkruar mesazhe me përmbajtje fyese.

Sipas mediave amerikane, një grup i vandalëve të enjten herët me spërkatës të kuq kanë shkruar në njërën nga shtyllat e bustit të Abraham Lincoln, në Parkun Kombëtar në Uashington.

Thuhet se është e vështirë që të lexohet se çfarë shkruan konkretisht, por siç lënë të kuptohet bëhet fjalë për përmbajtje fyese.

E gjithë kjo ka ndodhur, ndërsa në SHBA ende janë duke vazhduar diskutimet në lidhje me trazirat raciste dhe ekstremiste në Charlottesville, në Virxhinia, ku ka pasur të vdekur dhe të plagosur. aa

I bllokohet qasja në internet faqes The Daily Stormer

Një artist duke shikuar porterin e viktimës, Heather Heyer, e cila ka vdekur në protesta e mbajtura në Sharllotsvill, Virxhinia

Publikuesi i ueb faqes kontraverse të neo-nazistëve në Shtetet e Bashkuara, Andrew Anglin, ka thënë se faqja,The Daily Stormer, është ndaluar plotësisht nga interneti”, pak pasi Angelin ka siguruar një domen rus.

The Daily Stormer, e ka humbur kontrollin e përdorimit të domenit, Dailystormer.com, pasi Google ka refuzuar t’i jap shërbime kësaj faqe.

Autoritetet ruse për rregullimin e mediave, kanë thënë se kërkesa për ndalimin e kësaj ueb faqe me domen rus, është bërë për shkak se e njëjëta është konsideruar të ketë postuar “ përmbajtje ekstremiste”.

Anglin, i ka treguar Associtated Press, se pas bllokimit të platformave në SHBA dhe Rusi, ai nuk mund të publikojë më materiale të supremacistëve të bardhë.

Google është përgjigjur me bllokim, pas thirrjeve në fushata të shumta nëpër rrjetet sociale, kundër kësaj ueb faqe, e cila ka bërë postime provokuese, pas vdekjes së Heather Heyer, viktimë e protestave kundër racizmit, në Sharllotsvill të Virxhinias.

Daily Stomer, qëndron sipas emrit të Der Sturmer, një gazetë që ka publikuar propagandën nazisite.

Anglin, në disa prej publikimeve, është talluar me Heather Heyer, e cila ka vdekur pasi një person ka sulmuar me veturë turmën e njerëzve në protestat në Sharllotsvill.

Dyshohet se sulmuesi ka qenë simpatizant i neo-nazistëve.

Anglin ndër të tjera e ka cilësuar Heyer si “definicion të padobishmërisë”, duke provokuar përgjigje të shumta në rrjete sociale.

“Ata më kanë ndaluar regjistimin e një domeni të ri”, i ka thënë Anglin, AP-së.

Rrjetet sociale, Facebook dhe Tëitter kanë thënë se larguar të gjitha faqet që kanë qenë të ndërlidhura me The Daily Stormer, i cili ka ndihmuar në organizimin e marshit në Sharllotsvill, i cili më pas rezultoi me vdekjen e Heather Heyerit, gjatë vikendit të kaluar.


Send this to a friend