VOAL

VOAL

SHBA: Senati e miratoi reformën e taksave

Pamje e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në Uashington

Senati i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar atë që është përshkruar si rishkrimi më gjithpërfshirës i legjislacionit amerikan për taksa në më tepër se tri dekada.

Legjislacioni është miratuar mbrëmë vonë, me 51 vota për dhe 48 kundër, ndërsa protestuesit në galerinë e Senatit kanë brohoritur kundër këtij legjislacioni. Pas kësaj ata u detyruan të largoheshin nga salla.

Dhoma Përfaqësuese, disa orë më herët, e miratoi këtë masë me 227 vota për dhe 203 kundër.

Republikanët e kanë shumicën në të dy dhomat e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Për miratim përfundimtar, legjislacioni duhet të miratohet përsëri në Dhomën Përfaqësuese, sonte më vonë.

Nëse kalon, siç pritet, atëherë kjo do të ishte fitorja e parë madhore legjislative e presidentit amerikan, Donald Trump, prej janarit të këtij viti kur filloi presidenca e tij.

Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjin për shkurtimin e taksave

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan votoi të martën sipas linjave partiake për t’i dhënë presidentit Donald Trump fitoren e madhe legjislative – projektligjin për reformimin e sistemit të taksave. Miratimi i Dhomës hap rrugën që paketa të miratohet edhe nga Senati.

Ligjvënësit republikanë thonë se projektligji i ri do t’i japë ekonomisë amerikane shtytjen e nevojshme.

Projektligji shton zbritjet standarte për shumicën e familjeve dhe individëve, dhe pakëson sasinë e të ardhurave të taksueshme që ata duhet të paguajnë.

Ai ul gjithashtu normën e taksave për korporatat dhe amerikanët me të ardhura të larta. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Mil Arcega, paketa e reformës së taksave mbart me vete një çmim të lartë.

Ligjvënësit republikanë thonë se projektligji i taksave do të nxisë investimet, do të shtojë punësimin dhe do të verë më shumë para në xhepat e amerikanëve punëtorë.

“Jam i bindur se projektligji për reformën e taksave do t’i ndihmojë të gjithë pasi heq barrën për shumë familje. Do të ketë paga më të larta, dhe ekonomi të fuqishme. Reforma e taksave ka të bëjë gjithashtu me kthimin e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara”, thotë ligjvënësi Kevin Brady.

Përkrahësit besojnë se shkurtimet e taksave do të nxisin investimet e biznesit dhe shpenzimet e konsumatorëve. Por edhe vlerësimet më konservatore sugjerojnë se projektligji i taksave do të rrisë borxhin amerikan me një miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

“Tregjet sigurisht nuk kanë një përgjigje të qartë sesi zoti Trump do t’i financojë të gjitha këto shkurtime pasi ka një përsëritje të politikave të ndërmarra nga Regani në vitet 80 i cili besonte se ulja e taksave për korporatat do të rriste të ardhurat. Kjo nuk ndodhi në vitet 80. A do të ndodhë në vitin 2018? “, thotë analisti Carten Brzeski.

Pavarësisht shqetësimeve për rritjen e shpenzimeve të deficitit dhe shkurtimeve të mundshme të programeve sociale, zoti Brzeski thotë se reagimi në tregjet financiare ka qenë kryesisht pozitiv. Sesa ndihmohet klasa e mesme nga ky projektligj i taksave mbetet ende për t’u parë. Por analisti kryesor i Bankrate.com thotë se fituesit e vërtetë janë ata me të ardhura të larta.

“Do të thoja se projektligji i taksave anon në atë drejtim. Ai do të jetë i mirë për aksionerët. Mendoj se kursimet e taksave do të shkojnë drejt aksionerëve në format e fitimeve më të larta, dividentëve më të lartë, më shumë blerje të aksioneve dhe në një farë mase mund të shohim më shumë punësime, mund të shohim që kompanitë të bëjnë më shumë biznes në Shtetet e Bashkuara dhe jo jashtë vendit, kështu që kjo mund të çojë në një shtim të punësimit.”

Një anketë e kohëve të fundit nga Shoqata Kombëtare për Ekonomistët e Biznesit sugjeron se efektet e këtij projektligji nuk do të mësohen shumë shpejt.

“Legjislacioni ka të ngjarë të lerë shumë taksapagues me fatura më të larta pasi edhe pse ka shkurtime, shumë zbritje të rëndësishme janë hequr dhe do të duhet kohë të duket qartë se cilët janë fituesit dhe humbësit”, thotë Ken Simonson me Shoqatën Kombëtare për Ekonomistët e Biszneseve.

Komisioni për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm beson se humbësi i vërtetë është ekonomia amerikane – duke thënë se projektligji final i taksave do t’i kushtojë përfundimisht vendit më shumë se 2 trilion dollarë.

CIA, ja si ndryshoi plani i SHBA për rrëzimin e Hoxhës, në lojë u futën britanikët, 8 agjentë amerikanë u dënuan me vdekje

Shërbimi sekret amerikan, ka tentuar me të gjitha mënyrat të rrëzojë regjimin komunist në Shqipëri. Mirëpo në vitin 1953 shihet se fillimisht pati një ndryshim plani, pasi misioni kryesor ishte shkëputja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se për këtë periudhë shihej e papërshtatshme rrëzimi i regjimit, teksa synimi ishte që vendi ynë të ndërpriste marrëdhëniet me Bashkimi Sovjetik. Në dokument tregohet dhe një bashkëpunim me shërbimin sekret britanik.

Tetor 1953

Raport i veprimeve të koordinuara mes shërbimeve amerikane e britanike

Shërbimet sekrete të CIA dhe MI6 kanë rënë dakord në parim për linjën e veprimet në lidhje me Shqipërinë, e cila do të fokusohet në mbledhje inteligjence të brendshme sipas direktivave të caktuara, dhënie të mbështetjes për Komitetin për Shqipërinë e Lirë dhe lëshime broshurash propagande afërsisht një herë në muaj. Edhe direktivat për vitin 1954 priten të jenë të ngjashme me ato të këtij viti, me shumë pak gjasa për urdhra përshkallëzimi të aktiviteteve të Luftës së Ftohtë në Shqipëri. Kjo për arsye se një trazirë e mundshme në Shqipëri do të shoqërohej me ndërhyrjen e forcave të Komitetit të Prizrenit nga Jugosllavia, dhe më pak e mundshme është ndërhyrja e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Ndërhyrje të tilla do të interpretoheshin si kërcënim të interesave kombëtare edhe nga fqinjët, prandaj për momentin nuk duhet të kishte ndryshim të pushtetit në Shqipëri.

Shkëputja nga BRSS

CIA nuk ka direktiva konkrete veprimi për Shqipërinë por ajo gjithsesi konsiderohet si një objektiv i rëndësishëm i luftës psikologjike dhe se përpjekjet për ta shkëputur atë nga blloku sovjetik nuk duhet të reduktoheshin. Është pranuar se ndryshimi kryesor i politikave mes CIA dhe MI6 qëndron në faktin se CIA është e gatshme të përdorë një politikë më të drejtpërdrejtë, por ky dallim nuk do të ndalojë punën e përbashkët të dy shërbimeve.

Infiltrimet

Tre operacione infiltrimi janë planifikuar sivjet. Grupi i parë i Vlorë nuk u formua për arsye të vështirësive me agjentët, kurse grupi i dytë për në Tiranë u infiltrua në rrugë tokësore nga Greqia. Një grup i tretë duhet të infiltrohen në Veri të Shqipërisë, por është anuluar për arsye të vështirësive në organizmin e infiltrimit nga ajri ose toka, dhe pritet të kryhet vitin që vjen. Operacionet e infiltrimit kanë pasur të njëjtat objektiva si më parë: krijimin e qendrave të rezistencës, vazhdimin e operacioneve për qëllimin final të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita sovjetike dhe inkurajimi i dezertimit mes zyrtarëve komunistë. Operacionet janë reduktuar disi për të ngritur kalibrin e agjentëve të zgjedhur, por është pranuar nga të dyja palët se në përgjithësi kalibri i agjentëve linte shumë për të dëshiruar. Një grup prej pesë personash të ri-infiltruar këtë vit, qëndruan për tre javë në Korçë deri sa rimorën kontaktet e vjetra. Një grup prej dy personash të infiltruar në zonën e Sarandës qëndruan aty për tre javë.

Cilësia e agjentëve

Si CIA dhe MI6 janë dakord se cilësia e agjentëve të tyre shqiptarë të rekrutuar në Greqi është e ulët. Aktualisht janë shumë pak refugjatë shqiptarë që arrijnë në Greqi dhe normalisht të larguarit e nivelit të lartë nuk pranojnë të kthehen aty për të jetuar në male. CIA ka punuar për krijimin e qendrave rezidente në Shqipëri, dhe tekstet e broshurave të përdoren për të inkurajuar pjesëmarrjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Broshurat e nxitjes së dezertimit deri tani nuk kanë dhënë efekt, por autoritetet shpresojnë se në të ardhmen mund të ketë anëtarë të lartë të partisë, prandaj ia vlente të vazhdohej me iniciativën. Programi i CIA për vitin 1954 parashikon 24 lëshime broshurash propagande, të shoqëruara me artikuj ushqimorë apo të përdorimit shtëpiak. Ata kërkojnë të përmirësojnë tekstet e fletushkave, duke zgjeruar apelin e tyre publik, pasi propaganda e pastër nuk po sjell efektin e pritur.

Komiteti për Shqipërinë e Lirë

Është pranuar diskutimi i komitetit ekzekutiv të Komitetit për Shqipërinë e Lirë (NCFA) dhe riorganizimi i tij. CIA ka kërkuar riorganizimin e NCFA me qëllim shkurtimin e kostove, dhe krijimin e një kampi në Itali për strehimin e shqiptarëve atje. Britanikët kërkonin emërimin e anëtarëve të kryesisë së NCFA si individë dhe jo në bazë të partive që përfaqësojnë.

Ka pasur debate mes CIAs dhe grupeve britanike mbi masën e informimit të NCFA për operacionet e infiltrimit në Shqipëri. Ata mendonin se agjentët kishin nevojë për mbështetjen e NCFA dhe se detajet e dhëna nga NCFA për prejardhjen e agjentëve ishin të rëndësishme në operacion dhe në vlerësimin e cilësive të tyre. CIA ishte e mendimit se kishte rreziqe sigurie në rast njoftimi paraprak të NCFA dhe do të vazhdonte të vepronte edhe pa aprovimin e tyre, prej rrezikut të daljes së informacionit dhe dështimit të operacioneve. Pas diskutimeve u pranua edhe nga britanikët të ndiqej e njëjta linjë. Një prej sugjerimeve ishte njoftimi i NCFA pas futjes së agjentëve në Shqipëri, por u refuzua prej rrezikut të daljes së informacionit. Diskutimet përfshinë mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve me NCFA në rast të mbajtjes së tyre të painformuar, çka pritet të trajtohet me riorganizimin e ri ku nuk do të përfshihej një “juntë” ushtarake.

Aktivitetet e NCFA nga Romë mendohet të ndahen në dy kategori: Në atë të luftës psikologjike ku përfshihen fletushkat, përmbledhjet e lajmeve dhe monitorimi i stacionit të Barit. Për zhurmimin e transmetimeve të Zërit të Amerikës, ekspertët besonin se vinte nga Bullgaria.

Dhe përfaqësues të NCFA që marrin pjesë në takimet e OKB për Kampet e punës dhe në takimet e Juristëve të Lirë.

Komiteti i Prizrenit

Në diskutime u përmend se kur u krijua fillimisht Komiteti i Prizrenit, CIA kishte qenë shumë e interesuar, por në informacionet e mëvonshme rezultoi se Komiteti ishte tërësisht nën dominimin jugosllav dhe ishte kryesisht një mjet mbulimi për operacionet e UDB në Shqipëri. ka shumë pak emra të njohur në komitetin e Prizrenit dhe CIA mendonte se nëse realizohej ndryshim i regjimit në Shqipëri, Komiteti do të përpiqej të vendoste një qeveri titiste. Ne dhe britanikët ishim në një mendje se situata aktuale në Trieste pengonte çdo bashkëpunim real të mundshëm mes Komitetit të Prizrenit dhe NCFA.

Organizata e Hilë Shllakut

CIA mendon se ka ende dyshime mbi ekzistencën e kësaj organizate dhe mbi të gjitha për forcën e saj të pretenduar prej 35.000 njerëzish. Ata janë duke eksploruar nëse kjo organizatë ekziston, pasi do të ishte me vlerë të madhe. Britanikët thanë se zotëronin fakte se organizata e Shllakut ekzistonte dhe se ishte e gatshme ta vinte veten në dispozicion të Perëndimit. Por masa e pretenduar e saj ishte një kërcënim serioz për qeverinë e Tiranës dhe meqenëse kishte interesa jugosllave të përfshira, lëvizjet e mëtejshme për të duhet të diskutoheshin imtësisht mes dy shërbimeve. CIA deklaroi se vetëm tre refugjatë shqiptarë kishin dëgjuar për organizatën. Korça, i cili ishte mik i ngushtë i Hilë Shllakut, tha se ishte dërguar nga ky i fundit për të kontaktuar me Perëndimin. Vetë Shllaku ka qenë më parë xhandar, para dhe gjatë luftës. Ai ka kontakte të shumta në zonat malore dhe është arrestuar një herë nga komunistët. Pasi arriti të shpëtonte u vendos përsëri si klandestin në zonat malore, ku ka pasur mundësinë e kontakteve të shumta në zonat malore dhe më poshtë deri në afërsi të Tiranës. Sipas Korçës organizata ekziston por ka mungesë armësh.

Operacionet e planifikuara për 1954

Britanikët thanë se kishin vetëm një operacion të planifikuar për vitin 1954, grupin e infiltrimit në veri të vendit që u anulua këtë vit. At akant kontakte të dobishme në veri dhe është propozuar që ata të lëshohen në qershor. Por mbeteshin vështirësi me gjetjen e agjentëve të kalibrit të lartë. Ka disa agjentë të operacioneve të shkuara që pranojnë të rinisen, por në përgjithësi mbetet problemi i rekrutimit të dobët të shqiptarëve në Greqi.

20 prill 1954

Gjyqi në Tiranë i agjentëve të CIA

Gjyqi i 8 agjentëve të CIA kapja dhe gjykimi të cilëve u njoftua nga Radio Tirana 29 dhjetor 1953, filloi më 5 prill 1954. Gjyqi zgjati 5 ditë dhe përfundoi me dënimin e të akuzuarve. Anëtarët e mëposhtëm të grupit tonë Apple Team u dënuan me vdekje, me pushkatim: Zenel Shehu, Halil Branica (të rekrutuar personalisht nga Mbreti Zog), Ahmet Kabashi, Naum Sula, Gani Malushi e Rapush Agolli (ky i fundit u rekrutuar brenda në Shqipëri). Hamit Matjani, guidë dhe konsulent i rekrutuar nga CIA, u dënua me vdekje me varje, kurse Ibrahim Laçi, kontakt i grupit tona, u dënua me 10 vjet burgim. Dënimet u zbatuan më 15 prill 1954. Armiqtë pretendojnë se kanë vrarë tre prej agjentëve tanë menjëherë sapo u ulën me parashutë. Nuk dimë se ç’bëhet me dy anëtarë të grupit tonë, si për shembull Tahir Preçi, operatori fillestar i radios, dhe Pal Nikollën lideri i nëngrupit. Ka një mundësi të vogël se ata mund të jenë ende të lirë, kurse mundësia më e madhe është të jenë vrarë gjatë marrjes në pyetje apo të dënuar në fshehtësi prej refuzimit të bashkëpunimit me gjykatësit.

Gjyqet publike

Gjyqet në fakt janë bërë publike si një mjet propagande kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, si organizatorët kryesorë të aktiviteteve klandestine kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Prandaj dhe nuk është përmendur thuajse fare mënyra e kapjes së agjentëve dhe marrja e tyre nën kontroll. Kështu jemi ende pa të dhëna se kur grupi ynë kaloi nën kontrollin e armiqve.

Bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe ish-mbretit Zog është publikuar. Gjithashtu është analizuar me detaje të imta bashkëpunimi mes spiunazhit të SHBA dhe organeve greke, duke theksuar mënyrën e përulur të veprimit të Greqisë dhe vendeve të tjera perëndimore në lidhje me SHBA, si dhe lehtësia me të cilën agjentët amerikanë kalojnë kufijtë dhe operojnë në këto vende.

Janë bërë publike disa informacione në lidhje me metodat e trajnimit dhe vendndodhjen fizike të zonave të agjentëve në Greqi, por shumica e pikave dhe metodave tashmë janë ndryshuar, dhe ato që kanë mbetur do të ndryshohen së shpejti. Përveç kësaj të gjitha furnizimet, municionet, armët, veshjet, pajisjet radio dhe floriri, u kapën dhe u ekspozuan në sallën e gjyqit. Në lidhje me personelin e CIA, asnjë emër i vërtetë nuk u ekspozua gjatë gjyqit, përveç një agjenti kontakti që është larguar në vjeshtën e vitit 1951. Agjentë të tjerë të përfshirë kanë përdorur pseudonime në kontaktet me shqiptarët. Me qëllim kundërvënien ndaj efektit të propagandës që soli gjyqi, të paktën pjesërisht, u lëshua në Tiranë një broshurë pas ekzekutimeve, e cila ngrinte lart agjentët e vrarë si martirë të kauzës së çlirimit të Shqipërisë. Është propozuar një tjetër broshurë e cila është duke u hartuar.

12 tetor 1954

Përmbledhje e operacioneve të CIA në Shqipëri

Deri në korrik 1954, aktivitetet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë drejtoheshin nga oficerët e shërbimeve të CIA dhe britanikëve MI-6 në Romë. Kontakti me selinë e NCFA në Nju Jork mbahej me anë të një konsulenti të fshehtë, kurse pjesa shqiptare e tij merreshin me mbikëqyrjen e teksteve të transmetimeve klandestine radio dhe fletushkave të propagandës. Në korrik 1954 pas marrëveshjes me britanikët, i gjithë stafi amerikan dhe britanik u tërhoq nga Roma dhe kontaktet e NCFA me CIA janë kryer vetëm prej Athinës. Kjo ka sjellë frikë nga ana e disa prej anëtarëve të komitetit, se interesat e SHBA për Shqipërinë po shuheshin. Klasa e emigrantëve shqiptarë është habitur gjithashtu nga njoftimi i 12 gushtit 1954 për formimin e Komitetit Kombëtar Demokrat nën drejtimin e krahut disident të Ballit Kombëtar, i cili më parë ishte tërhequr nga NCFA dhe kishte bërë çdo tentativë për të sabotuar aktivitetet e tij. divizioni ynë ka propozuar që drejtimi i NCFA t’i kalohet Komitetit të Evropës së Lirë, teksa aktivitetet klandestine të propagandës të kryhen në emër të NCFA. Divizioni beson se kjo lëvizje do të forcojë pozitën e NCFA në sytë e shqiptarëve, si dhe do të shpërndajë frikën se Perëndimi nuk është më i interesuar për Shqipërinë. Kur po mendohej të niste projekti amerikan për Shqipërinë në vitin 1949, u zbulua se britanikët e kishin nisur një projekt me thuajse të njëjtat objektiva, prandaj u vendos që dy projektet të koordinoheshin për të përdorur struktura të përbashkëta dhe që të parandalohej që CIA dhe MI-6 të shkelnin këmbët e njëra-tjetrës. Por operacionet e SHBA dhe të Britanisë kanë qenë thuajse

krejtësisht të ndara dhe vetëm me këmbime informacionesh të përgjithshme mbi zonat e përafërta të aktivitetit dhe kohën e tyre, thjeshte për parandalimin e përplasjeve. Inteligjenca e operacioneve është këmbyer lirisht në terren dhe gjithashtu në nivel zyrtar Londër-Uashington. Aktivitetet e propagandës janë kryer bashkërisht nga Roma dhe Athina deri në korrik 1954 kur si CIA ashtu dhe MI-6 tërhoqën oficerët e tyre nga Roma, për të koordinuar aktivitetet nga Athina.

24 qershor 1953

Departamenti i Shtetit

Integriteti territorial i Shqipërisë

Dokumentet e mëposhtme janë mbi subjektin e memorandumit tuaj dhe mund të ndihmojnë në materialet për “integritetin territorial të Shqipërisë” dhe gjithashtu duhet se bëjnë të qartë nevojën për nxitjen e veprimeve të tjera sipas këtyre linjave. Mesazh për popullin shqiptar nga sekretari Acheson, 13 maj 1951

Dokumenti mbi Italinë e Vatikanin

Në konferencën e tij të sotme për shtyp, zëdhënësi i kryeministrit italian tha: “Fakti se de Gaspari ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm në Paris në një pikë të tillë të fushatës së tij, do të thotë se sa e rëndësishme për Italinë komuniteti ndërkombëtar”. Në lidhje me subjektin e marrëdhënieve Shqipëri-Itali, zëdhënësi tha se ato ende nuk kishin arritur në pikën e dëshirueshme normalizimit për arsye të disa politikave të Tiranës: Kjo e fundit ka dhënë të tjera prova të intolerancës së saj me një not proteste në Romë kundër transmetimeve të rrjetit italian RAI, si dhe me kërkesat për arrestime dhe ekstradime të disa liderëve politikë shqiptarë në Itali. Ministria e jashtme e Italisë refuzoi notën e protestës duke thënë se Itali ishte një vend i lirë, dhe kushtetuta i garantonte të drejta azilantëve apo refugjatëve politikë. Ishte e sigurt se në Shqipëri, ashtu si në vende të tjera prapa Perdes së Hekurt, ekzistonin ndjenja revolte dhe rezistence. Ato kishin uljet e ngritjet e tyre, sipas aftësisë së policisë për t’i shtypur. Sidoqoftë, pikëpamja italiane për Shqipërinë ishte e ditur: ajo donte liri, pavarësi dhe integritet territorial.

McMaster: SHBA të jenë të përgatitura për deatomizim të Koresë Veriore

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, H.R. McMaster, thotë se Shtetet e Bashkara “duhet të jenë të përgatitura, nëse është e domosdoshme, për ta detyruar Korenë Veriore që të deatomizohet”.

Këto komente të zyrtarit të lartë amerikanë në intervistën për rrjetin BBC, që janë postuar sot në Internet, paraqesin paralajmërimin më të ri se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta përdorin forcën në një pikë, për ta larguar kërcënimin nga programet raketore dhe atomike të Phenianit.

I pyetur nëse Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për zgjidhje paqësorre në kontestin me Korenë Veriore, McMaster tha “ne jemi të përkushtuar për zgjidhje. Ne dëshirojmë që zggjidhja të jetë paqësore, por siç ka thënë presidenti, Donald Trump, të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Mëtutje, ai theksoi se “ne duhet të jemi të përgatitur, nëse është e domosdoshme, për ta detyruar deatomizimin e Koresë Veriore pa bashkëpunim me këtë regjim”.

Trumpi: Atentati që CIA parandaloi në Rusi mund të kishte shkaktuar mijëra viktima

Presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi mbrëmë se bashkëpunimi mes shërbimeve sekrete të Rusisë dhe të Amerikës kishte mundësuar shmangien e mijëra viktimave duke parandaluar një projekt atentati në Shën Petersburg.

“Ata ishin në gjendje të ndalonin këta terroristë pa humbur asnjë jetë njerëzore”, theksoi Trump gjatë një fjalimi në Uashington.

“Ndoshta mijëra persona mund të ishin vrarë”, shtoi ai.

“Është në këtë mënyrë që kjo duhet të funksionojë”, vazhdoi ai, duke vlerësuar bashkëpunimin në këtë aspekt me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Ky i fundit kishte telefonuar të dielën presidentin amerikan dhe e kishte falënderuar për informacionet e kaluara nga CIA te Rusia dhe që mundësuan, sipas tij, të parandalohet një projekt atentati në Shën Petersburg.

Trumpi: Synohet “partneritet i madh” me Rusinë dhe Kinën

Donald Trump gjatë fjalimit të mbrëmshëm në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë e ka paraqitur strategjinë e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me të cilën merret linjë e fortë ndaj Kinës dhe Rusisë, por tha se Uashingtoni do të synojë “partneritet të madh” me dy këto fuqi “rivale”, derisa i mbron interesat kombëtare amerikane.

Në një fjalim me tematikë të gjërë në Uashington, pak kohë pasi Shtëpia e Bardhë e ka publikuar dokumentin e strategjisë, zoti Trump tha se “realizmi” dhe “Amerika së Pari” do të jenë parime udhëzuese të sigurisë kombëtare, që ecin përpara dhe ashpër i ka kritikuar të arriturat e paraardhësve të tij, për një rreze të gjërë të çështjeve, përfshirë kundërterrorizmin, Iranin dhe Korenë Veriore.

Presidenti Trump, gjatë fjalimit të tij, e ka lavdëruar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Irak dhe Siri dhe tha se Pakistani, duhet të jetë më i vendosur në betejën kundër ekstremizmit.

Në strategjinë e re kombëtare të Shteteve të Bashkuara tërhiqet vërejtja se Kina dhe Rusia paraqesin “sfida për fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane, në përpjekje për shkatërrimin e sigurisë dhe prosperitetit amerikan”. rel

Nju Jork – Kisha e shndërruar në xhami (video)

Godina njihet me emrin Xhamia e Jezusit, të birit të Marisë (Masjid Essa-Ibne-Maryam). Deri katër vite më parë ajo njihej si Kisha e Trinisë së Shenjtë.

Kur hyn brenda, përballesh me një mbishkrim nga Kurani të gdhendur në dru: “Allahu do t’i falë të gjithë, pavarësisht mëkateve të tyre”.

“E them gjithnjë se këto mure kanë pritur të dëgjojnë Kuranin prej 100 vjetësh. Kjo ishte ndjesia që pata që në fillim”, thotë kujdestari i xhamisë, Yusef Soule.

Zoti Soule ka marrë pjesë që në fillimet e rrugëtimit të kësaj kishe të shndërruar në xhami. Ai pranon se nuk ishte e lehtë të dëgjonte thirrjen myslimane të namazit, përmes ekove të një godine kishe.

“Disa njerëz u zemëruan. Persona që nuk i njihja u zemëruan me mua personalisht dhe më fajësonin meqë jam amerikan”, tregon zoti Soule.

Ndërtuar në fillimet e shekullit të 20-të, Kisha e Trinisë së Shenjtë i shërbente një popullsie në rritje emigrantësh gjermanë dhe italianë. Shumë njerëz pagëzoheshin, martoheshin dhe varroseshin këtu.

Por, ndryshimet demografike nuk e favorizuan këtë kishë. Besimtarët u larguan nga qyteti drejt rrethinave dhe u zëvendësuan nga valë të reja emigrantësh dhe refugjatësh, shumë prej të cilëve myslimanë.

“Bashkëjetonim me shumë grupime të larmishme. Me kalimin e kohës e pranuan idenë e shndërrimit të objektit në xhami”, thotë zoti Soule.

Në vitin 2010, Dioqeza Katolike e Sirakuzës e mbylli kishën në kuadrin e një rikonfigurimi rajonal. Megjithëse pati oferta tre herë më të larta për ta shndërruar kishën në një klub, ajo iu shit një grupi mysliman me një çmim shumë më të ulët, në mënyrë që Zoti të vazhdonte të adhurohej në shtëpinë e tij.

Në vazhdim filloi rehabilitimi i godinës. Stolat e kishës u hoqën dhe druri i tyre u përdor për të rregulluar dyshemenë. Mijëra kryqe nëpër mure u ridizenjuan ose u mbuluan me bojë. Kryqet mbi çati u zëvendësuan dhe u ruajtën si një kujtesë e çmuar e të kaluarës së godinës.

“Na duhet të mbledhim fonde të tjera që të zëvendësojmë këto dritat. Është pak errët këtu”, thotë zoti Soule.

Xhamia dallon nga të tjerat në zonë pasi nuk ka një kthinë të veçantë, apo një mur, që të ndajë burrat nga gratë. Nuk ka një imam të emëruar apo person të caktuar për thirrjen e namazit. Ideja është se xhamia u përket të gjithëve dhe kushdo mund ta bëjë thirrjen.

…Si 14-vjeçari Sajad Samir nga Afganistani.

“Praktikohesha vetë dhe njerëzit në xhami më inkurajuan që ta bëja unë thirrjen për disa ditë”, tregon Sajadi.

Refugjatë nga disa vende jetojnë pranë xhamisë, por ajo i shërben një komuniteti ku bëjnë pjesë jo vetëm myslimanë.

“E perceptojnë vërtet rolin e tyre si në shërbim të të gjithë lagjes. Depoja e tyre e ushqimeve është e hapur për të gjithë, për piknike dhe aktivitete verore. Pra, janë partnerë të mrekullueshëm të komunitetit, të cilët duan t’i shërbejnë të gjithë komunitetit dhe jo vetëm anëtarëve myslimanë të tij”, thotë Mark Cass, i Qendrës Mësimore “Northside”.

Yusef Soule thotë se nuk duhet besuar gjithçka që shikohet në media, pasi në kundërshtim me disa perceptime, Amerika ka një sasi të jashtëzakonshme njerëzish mikpritës që përqafojnë diversitetin dhe që i duan njerëzit për atë çfarë ata janë.

Strategjia e re e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare

Presidenti amerikan Donald Trump shpall sot në Uashington strategjinë e re për sigurinë kombëtare.

Zyrtarë të lartë të administratës thanë se dokumenti për strategjinë e re do t’i sigurojë vendit një “manual të qartë dhe të zbatueshëm” për të përballuar kërcënimet më të rrezikshme me të cilat ndeshet aktualisht vendi.

Ata thanë se ndryshe nga strategjitë e mëparshme, dokumenti i tanishëm i trajton në mënyrë të qartë dhe realiste këto rreziqe dhe sfidat, duke u dhënë përparësi interesave amerikane në përputhje me moton e presidentit “Amerika e Para”.

“Balanca globale e pushtetit është zhvendosur në mënyra të pafavorshme ndaj interesave amerikane”, tha të dielën një zyrtar i lartë i administratës. “Kjo strategji e re ofron një plan se si Amerikan mund të rifitojë vrull për të ndryshuar shumë prej këtyre tendencave.”

“Kjo do të shërbejë si një themel për strategjitë që do të pasojnë”, tha zyrtari, duke aluduar mbi publikimin së shepjti të dokumenteve për mbrojtjen dhe antiterrorizmin.

Zyrtarë të administratës thonë se, pavarësisht shqetësimeve të tyre, strategjia e re për sigurinë kombëtare nuk ka për qëllim hedhjen poshtë të strategjive të mëparshme nga ish Presidenti Barack Obama apo ish Presidenti George W. Bush.

Ata thonë se dokumenti përmbledh stategjinë që Presidenti Trump ka mbrojtur, si gjatë fushatës për presidencën dhe më pas në detyrë.

“Jetojmë në një konkurrencë globale dhe se si i avancojmë synimet tona është më kritike se kurrë”, tha një zyrtar i lartë i administratës. “Ne duhet të konkurrojmë.”

Për të konkurruar më mirë në skenën globale, zyrtarët e administratës së Presidentit Trump po përqendrohen në atë që ata i përshkruajnë si katër interesa kombëtare jetike: mbrojtja e vendit, promovimi i begatisë amerikane, ruajtja e paqes nëpërmjet fuqisë dhe avancimi i ndikimit amerikan.

“Ne duhet të punojmë sëbashku më shumë se kurrë për siguruar që shtetet të mbështesin zbatimin e ligjit, respektojnë sovranitetin e fqinjëve dhe të mbështesin rendin e paqes pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë, stabilitetin dhe sigurinë e përbashkët” tha Këshilltari i presidentit për Sigurisë Kombëtare Gjeneral HR McMaster gjatë njëprezantimi paraprak të strategjisë javën e shkuar në Uashington.

Strategjia identifikon tre grupe sfidash ndaj atij rendi, thonë zyrtarët.

Grupi i parë përfshin vende si Rusia dhe Kina, të cilat po kërkojnë të krijojnë një rend të ri global, ushtarak dhe ekonomik, për të cilin zyrtarët besojnë se do të dëmtojë interesat amerikane.

Në grupin e dytë janë regjimet e papërgjegjshme si Koreja e Veriut dhe Irani, të cilat po përpiqen të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë ndërsa mbështesin terrorizmin dhe aktivitete të tjera destabilizuese.

Grupi i fundit përfshin grupe ndërkombëtare terroriste dhe sindikata kriminale.

Zyrtarë të administratës thonë se strategjia e re për sigurinë kombëtare do të përballet me këta sfidues të ndryshëm në arenën botërore.

“Ne liruam shumë hapësirë konkurruese gjatë viteve të fundit dhe krijuam shumë mundësi”, tha zoti McMaster. “Do të shihni një theks të madh në angazhimin konkurrues.”

Por saktësisht se si Shtetet e Bashkuara do ta arrijnë këtë mbetet paksa në pikëpyetje.

“Ky dokument është më tepër i nivelit të lartë dhe përparësor”, tha një zyrtar i dytë i lartë i administratës.

Megjithatë, zyrtarët thonë se elementet e strategjisë së re të sigurisë kombëtare janë tashmë të dukshme në qasjen e Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut, Iranit dhe Azinë Jugore.

Ajo gjithashtu synon të kundërshtojë nocionin se thirrja e Presidentit Trump gjatë fushatës “Amerika e Para” duhet të interprehotet si “Amerika vetëm.”

Në vend të saj, zyrtarët thonë se strategjia do të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleatëve. Ata po ashtu thonë se do të afirmojë angazhimin amerikan ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, edhe pse thonë hapur se zoti Trump beson se reformat në të dy organizatat janë shumë të vonuara.

Shtetet e Bashkuara nuk përjshtojnë mundësinë e bashkëpunimit me rivalët kryesorë, përfshi këtu Kinën dhe Rusinë.

“Natyra e konkurrencës nuk do të thotë që nuk do të ketë bashkëpunim”, tha një zyrtar tjetër i lartë. “Ne flasim për bashkëpunim, rreth bashkëpunimit reciprok.”

Për shembull, zyrtarët thanë se Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si partner kyç në përpjekjet për frenuar agresionin e Koresë së Veriut dhe ambicjet bëthamore, pavarësisht asaj që ata e përshkruajnë si agresion ekonomik të Pekinit ndaj Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët vunë në dukje telefonatën e së dielës mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit Trump, ku Putini falenderoi Amerikën dhe Agjencinë Qendrore të Zbulimit (CIA) për ndarje të dhënash për të menjanuar një sulm terrorisit, si një “shembull të mirë ku ka një interes të përbashkët”.

“Interesi i përbashkët është vënë re gjatë këtij viti në Siri kundër ISIS në uljen e rreziqeve për përplasje në përpjekjet për të krijuar zona të sigurta,” tha zyrtari.

“Pa dyshim që jemi më mirë tani se sa ishim disa muaj më parë kur sekretari i shtetit dhe presidenti thanë se marrëdhëniet Amerikë-Rusi duket se ishin në një pikë të ulët,” shtoi zyrtari. “Por ne ende shohim shumë fusha ku interesat tona nuk përputhen ose bien ndesh direkt.”

Një fushë kryesore e konfliktit me Rusinë është ajo që zoti McMaster, këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, e ka quajtur “fushata të sofistikuara subvercioni dhe dezinformimi.”

Një raport jo-sekret nga organet amerikane të zbulimit i publikuar janarin e shkuar doli në përfundimin se Presidenti Vladimir Putin zhvilloi atë që e përshkroi si një “fushatë influencimi” të paparë në përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016 në favor të kandidatit të atëhershëm Donald Trump.

Megjithatë kur u pyetën, zyrtarë të tjerë të lartë të administratës nuk thanë se si strategjia e re për sigurinë kombëtare do të adresojë shqetësime të tilla, duke thënë se aktorë të tjerë, përfshi Kinën dhe grupet terroriste kanë përdorur teknika të tilla gjithnjë e më shumë.

Po ashtu ka fusha ku strategjia e re zhvendoset dramatikisht nga politikat e administratës së mëparshme.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Presidentit Barack Obama në vitin 2015 vuri theksin në nxitjen dhe mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Doktrina e re e Presidentit Trump ka një tjetër taktikë.

“Ne theksojmë të gjithë komponentët përbërës të demokracisë: tolerancën, lirinë, lirinë e besimit”, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Strategjia e Presidentit Obama në vitin 2015 po ashtu bënte thirrje për përballje urgjente me krizën e ndryshimeve klimatike. Strategjia e sigurisë kombëtare e Presidentit Trump nuk kërkon këtë.

“Ndryshimi klimatik nuk është identifikuar si kërcënim për sigurinë kombëtare”, tha një zyrtar i larë. “Është diskutuar rëndësia e mjedisit dhe kujdesi mjedisor.”

Strategjia e re për sigurinë kombëtare ndërkaq ka marrë miratimin e zyrtarëve kryesorë, përfshi Sekretarin e Mbrojtjes Jim Mattis, Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson dhe Sekretarin e Thesarit Steve Mnuchin, si edhe Drejtorin Kombëtar të Zbulimit Dan Coats dhe Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Zbulimit (CIA) Mike Pompeo.

Trumpi nuk do të shkarkojë prokurorin e posaçëm Mueller

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se nuk po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Robert Mueller-it, ndërsa avokatët e tij e kanë akuzuar prokurorin e posaçëm se ka marrë në mënyrë të paligjshme dhjetëra mijëra email-e të ekipit të tranzicionit të presidentit të sapo zgjedhur Trump.

Kur u pyet nëse po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të prokurorit të posaçëm, presidenti u përgjigj shkurt “Jo. Nuk po e mendoj”. Ndërsa për email-et, Presidenti Trump tha se “Nuk mendoj se ka ndonjë gjë aty, sinqerisht. Siç e kam thënë që në fillim, nuk ka patur bashkëpunim (me rusët)”.

Email-et në fjalë u morrën nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit Trump për tranzicionin, gjatë periudhës që kur ai u zgjodh në nëntor 2016 dhe deri kur mori detyrën më 20 janar 2017. Mes këtyre mesazheve ka diskutime rreth sigurisë kombëtare dhe objektivave fillestare të mundshme të tij në arenën ndërkombëtare, si dhe vlerësime për të emëruarit e ardhshëm të administratës së tij.

Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm e mbrojti ligjshmërinë e marrjes së këtyre email-eve.

“Kur i kemi marrë marrë email-et si pjesë e hetimit penal që ende vazhdon, kemi siguruar paraprakisht, ose miratimin e të zotit të llogarisë, ose një proces të përshtatshëm penal”, tha zëdhënësi.

Prokurori special Mueller ia kërkoi email-et Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), e cila është agjensia qeveritare që menaxhon objektet federale ku punonte ekipi Trump për tranzicionin dhe ku ndodheshin kompjuterat në fjalë. Agjensia i dorëzoi email-et më 1 shtator, pa njoftuar ekipin Trump.

Kory Langhofer, avokati që përfaqëson ekipin e tranzicionit të quajtur “Trump për Amerikën”, u ankua tek komisionet e mbikqyrjes së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve se zoti Mueller i pati marrë email-et, megjithëse ishte “i vetëdijshëm se ato nuk ishin pronë e agjencisë GSA”.

Avokati i Presidentit Trump tha se prokurorët e ekipit Mueller i “kanë përdorur gjerësisht këto materiale” gjatë hetimit të tyre që ende vazhdon, për të shqyrtuar nëse anëtarë të ekipit Trump bashkëpunuan me Rusinë për të mundur sfidanten demokrate, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

Zoti Langhofer tha se prokurorët kanë qenë të ndërgjegjshëm se disa nga këto materiale nuk mund të publikohen pasi ndër to ka edhe diskutime private ndërmjet avokatëve të ekipit Trump për tranzicionin dhe zyrtarëve të qeverisë që punonin për transferimin e pushtetit.

E pyetur për email-et, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se “ne vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me prokurorin e posaçëm dhe shpresojmë që hetimet të përfundojnë së shpejti”.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk është marrë në shqyrtim mundësia e shkarkimit të zotit Mueller. Një ndër ligjvënësit kryesorë republikanë, Senatori i Teksasit John Cornyn, tha se do të ishte “një gabim” nëse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Mueller, megjithëse disa republikanë të tjerë kanë bërë thirrje për shkarkimin e tij.

Hetimi disa-mujor i zotit Mueller ka siguruar deri më tani pranimin e fajësisë nga dy ish-ndihmësa të zotit Trump, ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe ish-këshilltarin për politikën e jashtme George Papadopoulos, të cilët pranuan se kanë gënjyer hetuesit federalë për kontaktet e tyre me zyrtarët rusë.

Hetimet kanë sjellë edhe ngritjen e akuzave për dy zyrtarë kryesorë të fushatës elektorale – Paul Manafort dhe Rick Gates – rreth përpjekjeve të tyre lobuese për Ukrainën, gjatë periudhës përparazgjedhjes së Presidentit Trump.

Presidenti Trump i ka kritikuar rregullisht hetimet e zotit Mueller dhe të Kongresit për lidhje e anëtarëve të fushatës së tij me Rusinë, ndërsa janë shtuar edhe kritikat e republikanëve duke i konsideruar si të njëanshme hetimet e zotit Mueller. Prokurori Mueller shkarkoi një ndër hetuesit kryesorë të FBI-së, pasi u zbulua se kishte shkëmbyer komente negative ndaj zotit Trump me një tjetër zyrtare të FBI-së të përfshirë në procesin hetimor.

Prokurori i posaçëm Mueller po ashtu po heton rreth mundësisë që presidenti Trump të ketë penguar drejtësinë me vendimin e tij për të shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey në maj. Në atë kohë, Comey ishte në krye të hetimeve mbi Rusinë, përpara se të caktohej prokurori i posaçëm Mueller.

Gjatë dëshmisë së tij në Kongres, ish drejtori Comey pohoi se para se ta shkarkonte, presidenti e kishte nxitur që të ndërpriste hetimet për Michael Flyn-in, ish gjeneralin, që shërbeu për një muaj në Shtëpinë e Bardhë, para se presidenti Trump ta shkarkonte se kishte gënjyer nën-presidentin Mike Pence dhe të tjerë, lidhur me kontaktet që kishte pasur me ambasadorin e Rusisë në Uashington gjatë periudhës së tranzicionit.

Ekipi i Trumpit dënon parregullsi në hetimin për ndërhyrjet ruse

UASHINGTON- Ekipi i tranzicionit i Donald Trumpit ka dënuar parregullsi në hetimin për ndërhyrjet ruse gjatë presidencialeve të vitit 2016, duke garantuar se prokurori special ka marrë në mënyrë ilegale mijëra emaile.

 

Prej shumë javësh, të afërm të presidentit amerikan dhe disa të zgjedhur republikanë kanë vënë në dyshim kredibilitetin e hetimit të Robert Mueller i cili ka akuzuar shumë të afërm të Trump-it, mes të cilëve edhe gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte këshilltari i tij për sigurinë kombëtare.

 

Në një letër që i drejtohej Kongresit dhe të cituar nga media amerikane, avokati Kory Langhofer pohon se një agjenci federale, “General Services Administration” (GSA), ka dhënë në mynyrë të jashtligjshme disa dokumete, shkruan ata.

Sipas kësaj letre, hetuesit nuk kanë asnjë mandat për të marrë këto dokumenta.
Nga ana tjetër, Peter Carr, zëdhënës i prokurorit special, ka kontestuar formalisht çdo parregullsi, duke garantuar se hetimi ishte zhvilluar në respektimin më strikt të ligjit.

Mueller mbron grumbullimin e emaileve të ekipit të tranzicionit të Presidentit Trump

Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller po mbron ligjshmërinë e grumbullimit të dhjetra mijëra emaileve të ekipit të tranzicionit presidencial të Donald Trumpit, megjithëse zyrtarët e zotit Trump u vunë në dijeni vetëm javën e kaluar se një agjenci qeveritare kishte dorëzuar emailet, para disa muajsh.

Emailet vinin nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit të tranzicionit dhe mbulojnë një periudhë nga koha kur zoti Trump u zgjodh në fillim të nëntorit 2016 deri kur mori detyrën më 20 janar 2017.

Mesazhet përfshijnë diskutime për sigurinë kombëtare dhe objektivat e mundshme fillestare të politikës së jashtme, si edhe vlerësime të kandidatëve për poste në administratën e re.

“Kur kemi marrë emailet si pjesë e hetimit tonë, kemi siguruar ose miratimin e personit që i takonte emaili ose autorizimin e duhur”, tha një zëdhënës i zoit Mueller të dielën herët.

Prokurori i Posaçëm ia kishte kërkuar mesazhet Administratës për Shërbime të Përgjithshme, një agjenci qeveritare që menaxhon godinat dhe pronat federale, ku punonte ekipi i tranzicionit dhe kompjuterat e së cilës kishte përdorur për emailet. Agjencia pa informuar ekipin e tranzicionit, i dorëzoi ato më 1 shtator.

Kory Langhofer, një jurist që përfaqëson ekipin e tranzicionit të quajtur “Trump për Amerikën”, paraqiti të shtunën një ankesë në komisionet e mbikqyrjes së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, duke thënë se Mueller i kishte marrë emailet, megjithëse “e dinte që emailet në fjalë nuk ishin as në pronësinë, as në kontrollin e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme”.

Avokati i zotit Trump tha se prokurorët e zotit Mueller kanë “përdorur gjerësisht materialet në fjalë” në hetimin mbi lidhjet me Rusinë. Langhofer tha se prokurorët e dinin se disa nga materialet ishin të mbrojtura nga publikimi sepse kishin të bënin me diskutime private mes juristëve të tranzicionit të zotit Trump dhe zyrtarëve që punonin për tranzicionin.

SHBA: Ushtria e pranoi hetimin sekret për objektet UFO

Pamje e një objekti që konsiderohej se ishte UFO i fotografuar më 31 korrik të vitit 1952 mbi Nju-Xhersi në SHBA

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka pranuar se në mënyrë sekrete ka zhvilluar hetime për pobjektet e paidentifikuara fluturuese, të njohura me shkurtesën UFO, për një periudhë pesëvjeçare.

E përditshmja New York Times ka raportuar se programi për hetimin e paraqitjeve të UFO-s ka zgjatur në periudhën 2007 – 2012, ndërsa ka kushtuar 22 milionë dollarë në vit.

Por, gazeta i ka cituar disa burime, që kanë thënë se programi sekret mbetet aktual edhe në ditën e sotme.

Pentagoni ka pranuar dje se programi ka përfunduar në “kornizën kohore 2012”.

“Ishte vendosur se kanë ekzistuar edhe çështje të tjera të prioritetit të lartë, që meritojnë fonde dhe se ishte në interesin më të mire të Departamentit të mbrojtjes për të bërë ndryshim”, ka thënë një zëdhënëse e Pentagonit, e cila megjithatë, nuk ka deklaruar në mënyrë specifike nëse një program i tillë i ngjashëm ekziston ende.

“Departamenti i mbrojtjes i merr seriozisht të gjitha kërcënimet dhe kërcënimet potenciale për popullin tonë, për pasurinë tonë dhe për misionin tonë dhe ndërmerr aksion çdo herë kur zhvillohet ndonjë informatë e besueshme”, tha kjo zëdhënëse e Pentagonit.

Shtëpia e Bardhë synon të ndryshojë sistemin aktual të emigrimit drejt SHBA-së

Shtëpia e Bardhë po fillon një fushatë për të kthyer opinionin publik amerikan kundër sistemit aktual të vendit për emigracionin, i cili bazohet përgjithësisht tek lidhjet familjare. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, synimi i fushatës është zhvendosja drejt një sistemi emigracioni të bazuar tek merita.

Administrata kishte filluar madje përgatitjet përpara se një ekstremist i frymëzuar nga Shteti Islamik, i lindur në Bangladesh, të përpiqej të hidhte veten në erë në Manhatan. Administrata po mbledh të dhëna për të mbështetur argumentin se legjislacioni aktual për emigracionin jo vetëm që është i konceptuar keq, por se është edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për punonjësit amerikanë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, thotë se “ne besojmë që të dhënat drejtojnë politikat. Këto të dhëna do të ndihmojnë në mbledhjen e votave në Kongres për një reformim gjithëpërfshirës të emigracionit”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ia detajuan ekskluzivisht strategjinë e tyre agjencisë Associated Press, duke thënë se të dhënat tregojnë që ndryshimet duhen ndërmarrë menjëherë. Por, kjo përpjekje e tyre bëhet në një klimë të vështirë politike, pasi edhe vetë republikanët ngurrojnë të angazhohen në një debat madhor për emigracionin përpara zgjedhjeve të 2018-tës.

Çështja pritet të radhitet ndër pikat kryesore të fjalimit për gjendjen e kombit që Presidenti Donald Trump do të mbajë në Kongres më 30 janar. Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe deklarata të tjera të Presidentit, të zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe një fushatë nëpërmjet mediave konservatore.

Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre.

Të dhëna të tjera që do të bëhen publike përfshijnë një raport ku theksohet numri i emigrantëve në burgjet amerikane, një shqyrtim të mbingarkesës dhe vonesave në gjykata të dosjeve për azilkërkuesit, si dhe një studim që administrata thotë se provon lidhjet ndërmjet emigracionit dhe terrorizmit.

Kritikët kanë vënë në pikëpyetje përdorimin selektiv nga administrata të të dhënave që ndonjëherë kanë rezultuar se janë keqpërdorur.

Ky propozim për të braktisur sistemin e emigracionit të bazuar tek familja do të ishte ndryshimi më radikal i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit. Kjo do t’i jepte fund asaj që kritikët dhe Shtëpia e Bardhë e quajnë “emigracioni zinxhir”, ku emigrantëve u lejohet të sjellin një sërë anëtarësh të familjeve të tyre në vend. Sistemi që do ta zëvendësonte, do të bazohej tek një skemë pikësh për arsimimin dhe potencialin e punësimit. Masa të tilla të bazuara tek meritat janë duke u përqafuar gjithnjë e më shumë nga vende të tjera, ndër to edhe Britania.

Publiku amerikan është i ndarë për këto ndryshime që shpreson të bëjë Presidenti Trump. Një anketim i Universitetit Quinnipac i zhvilluar në muajin gusht tregoi se 48% e votuesve kundërshtojnë propozimet e Presidentit Trump për të përgjysmuar numrin e emigrantëve të ligjshëm dhe për t’u dhënë prioritet emigrantëve bazuar tek aftësitë profesionale dhe jo më lidhjet e tyre familjare me SHBA-në. 44% e të anketuarve, ndër ta 68% e republikanëve, e mbështesin këtë ide të Presidentit.

Shtëpia e Bardhë shpreson që Kongresi të fillojë trajtimin e kësaj çështjeje në fillimin e vitit të ardhshëm, megjithëse zyrtarët thonë se nuk kanë filluar ende të diskutojnë strategjinë legjislative me udhëheqësit e Kongresit.

Trumpi rikonfirmon se nuk ka patur lidhje me Rusinë

Presidenti Donald Trump kritikoi përsëri të premten hetimet mbi pretendimet për lidhje të fshehta mes fushatës së tij presidenciale dhe Rusisë. Kjo vjen ndërsa disa nga aleatët e tij, përfshi republikanët në Kongres, do të dëshironin emërimin e një prokurori special për të hetuar pretendimet e tyre për njëanshmëri politike nga hetuesit federal.

Para se të shkonte në një ceremoni diplomimi në një akademi të Byrosë Federale të Hetimit, Presidenti Trump shtoi kritikat ndaj agjencisë kryesore të zbatimit të ligjit.

Presidenti shprehu zemërim dhe keqardhje rreth rolit të FBI-së në hetimet që kundërshtarët deshirojnë të shohin se demostrojnë bashkëpunim mes fushatës së tij dhe Rusisë, edhe madje implokojnë zotin Trump personalisht.

“Nuk ka absolutisht asnjë bashkëpunim. Nuk i kam telefonuar dhe nuk kam të bëj me Rusinë. Të gjithë e dinë këtë. Ishte një trillim i demokratëve. Ishte justifikim për humbjen e zgjedhjeve dhe nuk duhet të kishte ndodhur në këtë mënyrë.”

Çështja e bashkëpunimit mbetet ligjërisht e hapur. Ajo që është e sigurt është se një dëshmitar i rendësishëm për hetuesin special, ish këshilltarin e presidentit për sigurinë kombëtare, i cili ka pranuar se ka gënjyer FBI-në lidhur me kontaktet e tij me Rusinë. Tani ai është i detyruar të bashkëpunojë me hetuesit.

“Nuk dua të flas për faljen e Michael Flynn ende. Të shohim se çfarë ndodh”, tha Presidenti Trump.

Reagimi i presidentit ndaj pyetjes së një gazetari po shihet si një sinjal i papërshtatshëm ndaj Flynn se ai mund të shpërblehet nëse nuk thotë gjëra të tepruara. Një avokat i Shtëpisë së Bardhë thotë se nuk ka asnjë shqyrtim për mundësinë e faljes së zotit Flynn.

Presidenti i ka sulmuar vazhdimisht gazetarët që raportojnë detaje rreth kontakteve mes fushatës së tij dhe zyrtarëve të administratës ruse, ndërsa vlerëson mediumet konservative që vënë në pikpyetje kredibilitetin e hetuesit special.

“Siç e shikoni janë lajme të rrëme. Por ka edhe njerëz shumë të mirë, rreth 30 përqind”, thotë presidenti Trump.

Gjatë fjalimit të tij për të diplomuarit e akademisë së FBI-së, presidenti nuk përsëriti pohime se agjencia e rendit është në krizë. Megjithatë, duket se zoti Trump vazhdon të ketë dyshime rreth agjencive federale të zbatimit të ligjit dhe atyre të zbulimit.

Trump: Rusia nuk po ndihmon në çështjen e Koresë Veriore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk është i kënaqur me bashkëpunimin e Rusisë, në përpjekjet për t’i bërë presion Koresë së Veriut që të heqë dorë nga programi i saj bërthamor.

Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se “Kina po ndihmon, por Rusia jo”. “Do të dëshironim ndihmën e Rusisë”, shtoi ai.

Ai i bëri këto komente disa orë pas bisedës në telefon me presidentin e Rusisë, Vadimir Putin.

Dy liderët kanë diskutuar “situatën në disa zona kritike, me fokus zgjidhjen e çështjes bërthamore në Gadishullin Korean”, tha Kremlini përmes një deklarate për media.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump dhe Putin kanë biseduar për të punuar së bashku në zgjidhjen e situatës “shumë të rrezikshme” në Korenë e Veriut.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur pas testeve të vazhdueshme të Phenjanit me raketa balistike, të cilat janë në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Trump, kritika për FBI-në

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për dënimin me vdekje të të gjithë atyre që shpallen fajtorë se kanë vrarë oficerë policie.

Duke folur në Akademinë Kombëtare të FBI në Virxhinia të premten, zoti Trump premtoi të mbështeste zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe dënoi ata që sulmojnë oficerë policie.

Gjatë fushatës presidenciale, ai premtoi se nëse zgjidhej, do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv që të kërkonte dënimin me vdekje për vrasësit e policëve.

Më herët të premten, Presidenti Trump komentoi për FBI-në, Byronë Federale të Hetimeve.

Ai tha se “është e turpshme ajo që ka ndodhur” me FBI-në, duke e quajtur “me të vërtetë të turpshme” mënyrën se si u trajtua hetimi rreth çështjes së serverit privat të zonjës Hillary Clinton.

“Ne do ta rindërtojmë FBI-në,” tha Presidenti Trump.

Ai aludoi për redaktimet e zbuluara rishtazi që i ishin bërë deklaratës së vitit 2016 të Drejtorit të FBI-së, James Comey mbi hetimin e zonjës Klinton: “Është shumë e trishtueshme kur shikoni ato dokumente, mënyra se si e kanë bërë është me të vërtetë,” tha ai.

Zoti Trump përsëriti se “nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë” midis fushatës së tij dhe qeverisë ruse, duke shtuar se zbulimet e fundit dëshmojnë pohimet e tij se hetimi i zonjës Klinton ka qenë “i manipuluar”.

Shtëpia e Bardhë tha se të dhënat e zbuluara për FBI-në tregojnë se ekziston “njëanshmëri ekstreme” kundër Presidentit Donald Trump në udhëheqjen e lartë të FBI-së.

SHBA, demokratët fitojnë garën në Alabama

Në SHBA, demokratët ngushtuan diferencën në përbërjen e Senatit, me fitoren e arritur mbrëmë në zgjedhjet speciale të Alabamës. Kandidati i tyre, Doug Jones, mundi me rezultat të ngushtë rivalin e fortë republikan Roy Moore, i cili ishte përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente dekada më parë.

Kjo është fitorja e parë e një demokrati në një çerek shekulli në Alabama, një shtet tradicionalisht mjaft konservator. Ajo shënon një goditje ndaj presidentit Donald Trump, i cili mbështeti hapur kandidatin republikan, megjithë akuzat ndaj zotit Moore. Rezultati i garës shënon gjithashtu një plagë të re për Partinë Republikane tashmë të përçarë.

Republikani Moore nuk u tregua i gatshëm për ta pranuar rezultatin. Fushata e tij tha se meqenëse rezultati ishte mjaft i ngushtë, me 0,5 për qind diferencë, ose rreth 21 mijë vota, ata do të veprojnë sipas rregullave dhe do të kërkojnë rinumërimin e votave. Por sekretari i shtetit i Alabamës i tha rrjetit CNN se nuk ka gjasa që rezultati të përmbyset edhe nëse do të ketë rinumërim.

Presidenti Trump bëri një koment në Twitter, duke uruar fituesin demokrat Doug Jones. “Republikanët, – shkruante Presidenti Trump, – do të kenë një rast tjetër për ta marrë këtë vend të Senatit brenda një periudhe të shkurtër kohe.”

Fitorja e zotit Jones, ish prokuror i njohur për ndjekjen penale të dy anëtarëve të Ku-Klux-Klanit, përgjegjës për shpërthimet në kishat e Birmingamit në 1963, e ngushton epërsinë e republikanëve në Senat në 51 vende kundrejt 49.

Zoti Jones mbajti një fjalim të shkurtër përpara mbështesëve në Alabama. “Ne, – tha ai, – treguam jo vetëm në shtetin e Alabamës, por edhe në të gjithë vendin rrugën sesi mund të qëndrojmë të bashkuar”.

Kjo fitore vë në rrezik propozimet republikane për taksat, buxhetin dhe kujdesin shëndetësor si dhe injekton energji të re në përpjekjet e Partisë Demokrate për të rifituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Megjithatë, shumë republikanë në Uashington e shikojnë humbjen e kandidatit të tyre Moore si ndoshta një rezultat lehtësues për partinë në nivel kombëtar megjithë goditjen afatshkurtër. Sepse qëndrimet e shprehura nga kandidati Moore, një konservator i krishterë, kishin larguar mjaft votues nga radhët e grave, pakicave racore, homoseksualëve dhe muslimanëve, pa folur për faktin që ai ishte mjaft i përfolur për sjellje të pahijshme me vajza adoleshente, njëra prej tyre 14 vjeç, kur ai ishte në të 30-at.

Një numër republikanësh nuk pranuan ta mbështetnin atë, duke përfshirë edhe senatorin e vjetër të Alabamës, Richard Shelby. Por ditët e fundit, Presidenti Trump vendosi të verë në dispozicion të fushatës së zotit Moore emrin e tij dhe burimet e Partisë Republikane.

Nëse zoti Moore dë të kishte fituar, Partia Republikane do të ishte rënduar nga prania në radhët e saj të një kolegu të përfshirë në skandal, ndërkohë që republikanët janë në vështirësi për shkak të popullaritetit historikisht të ulët të zotit Trump.

Udhëheqësit republikanë të Senatit kishin deklaruar se zoti Moore do të përballej me një hetim të menjëhershëm për çështje etike dhe fitorja e demokratit Jones i çliroi nga kjo barrë.

Trumpi kërkon reformimin e sistemit të migrimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se sulmi me bombë nga një emigrant nga Bangladeshi në sistemin e metrosë në Nju Jork tregon “nevojën urgjente” për Kongresin që të reformojë sistemin e emigrimit në SHBA.

Tre njerëz janë plagosur pasi bomba e sulmuesit ka shpërthyer pjesërisht.

I dyshuari Akayed Ullah, 27 vjeç, është hospitalizuar me djegie të rënda.

Policia e Nju Jorkut tha se Ullah nuk ka pasur histori të mëparshme kriminale, por “duket se është radikalizuar nga grupi ekstremist Shteti Islamik” pasi ka shkuar në SHBA në vitin 2011.

“Amerika duhet të rregullojë sistemin e saj të migrimit që lejon shumë njerëz të rrezikshëm dhe joadekuatë të hynë në vendin tonë”, tha Trump.

Ai tha se Ullah ka hyrë në SHBA përmes një procesi ligjor që lejon familjarët e shtetasve amerikanë të marrin leje të përhershme qëndrimi në SHBA.

Trump tha se ky sistem “bie në konflikt me sigurinë kombëtare” dhe duhet të ndërpritet.

Bitcoin për herë të parë në bursën e Çikagos

Për herë të parë, një kontratë e tipit futures për monedhën Bitcoin u paraqit në Bordin e Këmbimit të Çikagos, me një vlerë prej vetëm 15 mijë dollarë. Gjatë orëve të para të këmbimit, kontrata u rrit me 20 për qind të vlerës. Vetëm gjatë këtij viti, monedha Bitcoin është rritur 1,400 për qind.

Bitcoin ishte monedha e parë elektronike që realizoi me sukses kriptimin monetar. Ajo pati megjithatë fillime të errëta. U krijua në vitin 2008, nga një person ose një grup personash, të mbiquajtur Satoshi Nakamoto, si një mënyrë për të kryer transaksione anonime. Duke qenë se është e vështirë vendosja e rregullave financiare, kjo monedhë është shndërruar në të preferuarën e aktiviteteve të paligjshme.

Gary Hufbauer, ekonomist në Institutin Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare me seli në Uashington, i tha gazetarit të Zërit të Amerikës, Victor Beattie, se Bitcoin është deri tani më e suksesshmja nga rreth 100 kripto-monedha që ekzistojnë sot në botë.

Zoti Hufbauer thotë se për shkak të mungesës së ndonjë kuadri ligjor për monedha të tilla, bankat dhe kompanitë kryesore tregtare amerikane ngurojnë të përdorin monedha që mund t’i ekspozojnë ndaj aktiviteteve të paligjshme, si pagesat për drogë apo pastrim parash. Ai mendon se megjithatë do të praktikohet në vazhdim një lloj tregtimi i këtyre monedha virtuale. Bursa e Çikagos do ta fillojë tregtimin e monedhës Bitcoin më datë 18 dhjetor.

SHBA, 3 gra përsërisin akuzat ndaj z. Trump për ngacmime seksuale

Tri gra, të cilat vitin e kaluar akuzuan zotin Donald Trump se i kishte ngacmuar seksualisht, përsëritën akuzat e tyre të hënën, duke thënë se ka ardhur koha që Kongresi të hetojë ankesën e tyre kundër presidentit.

Kërkesa vjen pas një vale akuzash ndaj dhjetëra personaliteteve të tjera të fuqishme amerikane për sjellje të pahijshme ndaj grave.

Rachel Crooks, e cila e akuzoi zotin Trump se e kishte puthur forcërisht 12 vjet më parë kur ajo punonte si recepsioniste në Kullën Trump të Nju Jorkut, tha se ligjvënësit duhet “të lënë mënjanë përkatësitë e tyre partiake dhe të hetojnë historinë e keqtrajtimeve seksuale ndaj grave nga ana e zotit Trump”.

Ajo komentoi në praninë e akuzueseve të tjera të zotit Trump në një konferencë shtypi në Nju Jork: Samantha Holvey dhe Jessica Leeds.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, më shumë se dhjetë gra akuzuan zotin Trump për sjellje të pahijshme seksuale gjatë disa dekadave, por ai i mohoi të gjitha akuzat.

Të hënën, ndërsa të tre gratë u shfaqën në emisionin “Today” të rrjetit NBC para konferencës së tyre të shtypit, Shtëpia e Bardhë përsëri i hodhi poshtë akuzat.

“Këto pretendime të rreme, të hedhura poshtë në shumicën e rasteve nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë, u trajtuan gjerësisht gjatë fushatës së vitit të kaluar dhe populli amerikan shprehu gjykimin e tij me një fitore vendimtare”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha: “Ne mendojmë se këto akuza e kanë marrë përgjigjen” nga rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016. “Populli amerikan e dinte këtë dhe votoi për presidentin.”

Shpërthim në Nju Jork, një i ndaluar

Policia e Nju Jorkut thotë se një i dyshuar është ndaluar pas një shpërthimi sot në mëngjes pranë Terminalit të Autobusëve, që kryebashkiaku Bill de Blasio e quajti përpjekje për “sulm terrorist”.

Komisioneri i Policisë së Nju Jorkut, James O’Neill, e identifikoi të dyshuarin si Akayed Ullah, 27 vjeç dhe tha se personi kishte të lidhur në trup një “pajisje eksplozive të improvizuar të teknologjisë së ulët”.

Ullah pësoi djegie dhe plagë në trup pas shpërthimit “të qëllimshëm” të pajisjes, u tha O’Neill gazetarëve, duke folur në prani të kryebashkiakut de Blasio dhe guvernatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo.

Departamenti i zjarrfiksëve i New Yorkut konfirmoi tre të lënduar të tjerë, me plakë pa rrezik për jetën.

Linjat e metrosë pritet të kthehen në normalitet për orën me trafik të dendur të mbrëmjes. Pas ngjarjes, trenat u evakuan dhe anashkaluan stacionin e Rrugës 42 të Manhatanit, që është në zemër të Sheshit Times Square, një destinacion popullor për turistët.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha në Twitter se Presidenti Donald Trump ishte informuar për ngjarjen.

Shtëpia e Bardhë: Palestinezët po i “ikin” dialogut për Lindjen e Mesme

Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Autoritetin Palestinez për “ikje” nga dialogu, pas refuzimit të takimit me nënpresidentin amerikan, Mike Pence, gjatë një vizite që do ta ketë në Lindjen e Mesme.

Ky vendim ka ardhur si shenjë proteste ndaj vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Zëvendësshefi i stafit të Pence, Jarrod Agen, ka thënë përmes një deklarate se është, “fatkeqësi që Autoriteti Palestinez është duke u larguar nga mundësia për të diskutuar të ardhmen në rajon”.

Pence është planifikuar ta vizitojë Lindjen e Mesme para festës së Krishtlindjes.

Kjo deklaratë ka ardhur në mesin e rritjes së pakënaqësive në Lindjen e Mesme lidhur me vendimin e presidentit Trump.

Ndihmësi i udhëheqësit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, Majdi al-Khalid, ka thënë se, “nuk do të ketë takim”, sepse Shtetet e Bashkuara, “i kanë kaluar të gjitha vijat e kuqe me vendimin për Jerusalemin”.

Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe e kanë miratuar një rezolutë gjatë një takimi emergjent, e cila e dënon vendimin e Trumpit dhe se Uashingtoni nuk mund të konsiderohet si ndërmjetësues i paqes në mes të Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.

Mirëpo, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë gjatë një vizite në Paris se palestinezët duhet ta pranojnë faktin se Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, David Satterfield, u ka bërë thirrje liderëve të Lindjes së Mesme që të ulin tensionet në rajon.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili vazhdimisht ka paralajmëruar për pasojat e vendimit të Trumpit, e ka cilësuar Izraelin, “shtet terrorist”, që “vret fëmijë”.

Në Libi forcat policore janë përplasur me disa protestues afër ambasadës amerikane në Bejrut.

Ky vend strehon mijëra refugjatë palestinezë.

Autoritetet kanë tentuar që me gaz me topa uji të largojnë protestuesit, pasi ata kishin nisur zjarr në rrugën afër kompleksit diplomatik.

Mijëra persona të tjerë kanë protestuar jashtë ambasadës amerikane në kryeqytetin indonezian, Xhakarta.

Indonezia është shteti më i populluar me myslimanë.

Policia në Suedi ka arrestuar tre persona, të cilët kanë dështuar të kryejnë një zjarrëvënie në qytetin Gothenburg.

Në të njëjtën kohë, policia izraelite ka thënë se një person i sigurimit është therur me thikë nga një azilant palestinez në Jerusalem.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Flakët shkrumbojnë mbi 130 mijë hektarë dhe qindra shtëpi në Kaliforni

Zjarrfikësit vazhdojnë betejën me disa vatra zjarri që ndihmohen nga erëra të fuqishme në Kaliforninë jugore. Një valë e re zjarri u shfaq në veri të qytetit San Diego.

Gjatë pesë ditëve të fundit, qindra struktura, ndër to edhe resorte prej miliona dollarësh, janë shkatërruar ndërsa zjarrfikësit luftojnë flakët e ushqyera nga rrymat e ajrit. Rreth 190 mijë persona janë evakuar nga shtëpitë e tyre.

“Vlerësohet se aktualisht zjarri është shtrirë në 130 mijë hektarë. Konfirmuam se 425 shtëpi dhe qindra godina të tjera janë shkatërruar tashmë”, njoftoi Mike Deponce, zëdhënës i departamentit të zjarrfikësve të qytetit Santa Barbara.

Erërat e fuqishme të Santa Anas ndihmojnë flakët që kanë shkrumbuar zona të gjera përgjatë bregdetit të Paqësorit, nga San Diego dhe deri në Santa Barbara, rreth 370 kilometra më në veri.

“Miqve të mi u them se është si një zonë lufte. Shtëpi të humbura dhe një shkatërrim tragjik i jetëve të familjeve që jetojnë në këto zona, si dhe të bukurive natyrore”, thotë zoti Deponce.

Mbi 5700 zjarrfikës, të ndihmuar nga helikopterë, po spërkasin me ujë dhe elementë kundër zjarrit zonat ku digjen gjashtë vatra të mëdha zjarri që nga dita e hënë.

Presidenti Donald Trump miratoi udhëzimet federale që u hapin rrugën agjensive federale për të ndihmuar në koordinim e këtyre përpjekjeve në shtetin e Kalifornisë.

Debati rreth ngacmimeve seksuale në Kongresin amerikan

Duke filluar nga Hollivudi e deri tek mediat kryesore, burra të famshëm ose janë larguar ose po pushohen nga vendet e punës për keqsjellje të dyshuar seksuale. Çështja tani ka prekur edhe Kongresin amerikan, ku një valë akuzash ka prekur ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara nga të dyja partitë politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për Kongresin amerikan Katherine Gypson shpjegon.

Një pikë kthese në Kongres?

“Unë do të jap dorëheqjen si anëtar i Senatit amerikan” tha senatori i shtetit të Minesotës Al Franken.

Senatori i Partisë Demokratike Al Franken kërkoi pjesërisht ndjesë për veprimet e tij pasi tetë gra e akuzuan atë për sjellje të keqe seksuale. Por vendimi i tij për të dhënë dorëheqjen erdhi vetëm pasi gjashtë senatore gra i kërkuan atij të largohej.

SENATOR AMY KLOBUCHAR, DEMOKRAT

“Unë mendoj se duhet të kemi hetime për këtë sjellje dhe nganjëherë diçka është kaq skandaloze si disa prej rasteve të fundit, saqë dikush duhet të japë menjëherë dorëheqjen” tha senatorja Amy Klobuchar.

Në një javë kur gratë që kanë thyer heshtjen rreth ngacmimeve seksuale u emëruan “Person i Vitit” i revistës TIME, Senatori Franken nuk ishte i vetmi demokrat që vendosi të largohej nga Kongresi.

Anëtari që ka shërbyer më gjatë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara u detyrua të largohej disa javë pas akuzave se ai kishte ngacmuar seksualisht anëtare të stafit të tij – një lëvizje për të cilën ligjvënësja Nancy Pelosi bëri thirrje pas disa ditësh hezitim.

“Ne kemi përgjegjësi për dinjitetin e Dhomës së Përfaqësuesve – ne gjithashtu duam të respektojmë të drejtat e të akuzuarve” tha ajo.

Edhe ligjvënësit republikanë kanë problemet e tyre. Ligjvënësi Blake Farenthold është nën një hetim etik për zgjidhjen e një akuze ngacmimi me 84 mijë dollarë, para të taksapaguesve. Ndërsa ligjvënësi Trent Franks njoftoi të enjten se ka në plan të japë dorëheqjen, duke zbuluar se ai kishte patur diskutime të papërshtatshme me anëtarë të stafit.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan tha se Kongresi do ta trajtojë çështjen e ngacmimeve seksuale.

“Ky me të vërtetë është një çast vendimtar për vendin tonë dhe shpresoj të kemi një ndryshim realisht pozitiv dhe të vazhdueshëm – jo vetëm me ndryshime ligjesh dhe proçedurash, por ndryshim në kulturë që mos të kemi raste ngacmimesh” tha ligjvënësi Ryan.

Por presidenti i Shteteve të Bashkuara ende nuk është mbajtur përgjegjës për aktet e tij, tha senatori Franken të enjten.

“Ka njëfarë ironie në faktin se po largohem unë ndërkohë që një person, zëri i të cilit është regjistruar duke u mburrur për historinë e tij të sulmeve seksuale, ndodhet në Shtëpinë e Bardhë”.

Shtëpia e Bardhë është përgjigjur duke thënë se votuesit amerikanë i kanë vlerësuar tashmë ato akuza.

“Ne besojmë se njerëzit e këtij vendi i kishin parasysh akuzat kur ata zgjodhën Donald Trumpin president” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Të martën është provë tjetër në kutitë e votimit. Në shtetin e Alabamës do të mbahet votim për një post në senat, ku kandidati republikan Roy Moore është akuzuar se ka ngacmuar seksualisht disa kur ato ishin të mitura.

SHBA: Në nëntor edhe 228 mijë vende të reja pune

Punëdhënësit amerikanë në muajin nëntor i kanë shtuar 228 mijë vende të reja pune, që është shenjë se tregu i punës vazhdon të jetë i qëndrueshëm, edhe në vitin e nëntë të ripërtritjes ekonomike.

Shkalla e papunësisë mbetet 4.1%, që është më e ulëta në 17 vitet e fundit, ka raportuar sot Departamenti amerikan i punës.

Ekonomia po zgjerohet në ritëm të shëndoshë dhe në shumë raste punëdhënësit e kanë vështirë për të angazhuar numër të mjaftueshëm të punëtorëve të kualifikuar.

Gjatë gjashtë muajve të kaluar, rritja ekonomike e ka kaluar shkallën vjetore prej 3%, që është hera e parë që kjo ka ndodhur prej vitit 2014, raporton agjencia AP nga Uashingtoni.

Besimi i konsumatorëve e ka arritur nivelin më të lartë prej vitit 2000.

Drejtori i FBI-së mbron fuqimisht agjencinë e tij në Kongres

Në Shtetet e Bashkuara, Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, mbrojti fuqimisht agjencinë e tij përpara kritikëve gjatë një sesioni me pyetje-përgjigje në Kongres. Disa ligjvënës vunë në pikëpyetje paanësinë e FBI-së, agjencia kryesore ligjzbatuese e vendit, e cila po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe për lidhjet e mundshme të Moskës me fushatën e zotit Trump gjatë këtyre zgjedhjeve. Këto ishin komentet e para publike të shefit të FBI-së, që kur Presidenti Donald Trump kritikoi ashpër këtë agjenci në Twitter.

“FBI-ja, që unë shoh, janë dhjetëra mijëra agjentë, analistë dhe stafi që punojnë shumë për t’i mbajtur amerikanët të sigurt nga sulmet e ardhshme terroriste, dhuna e bandave, grabitësit e fëmijëve dhe spiunët e Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit“, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pas komenteve të Presidentit Trump në Twitter, ku shkruante se emri i FBI-së ka rënë për tokë, pjesërisht sepse nuk ka bërë agjë rreth akuzave ndaj rivales së tij politike, Hillary Clinton për trajtimin nga ana e saj të emaileve të klasifikuara kur ishte sekretare e shtetit.

“Vendimi i FBI-së për të mos rekomanduar akuza ndaj ish-sekretares ose ndaj cilitdo të lidhur me të, vazhdon të ngrejë shqetësime serioze se sistemi i drejtësisë tek ne zbatohet ndryshe për të pasurit dhe të fuqishmit”, tha republikani Bob Goodlatte, kreu i Komisionit të Ligjeve.

Ishte ky vendim, është shprehur Presidenti Trump, që e bëri të shkarkonte ish-drejtorin e FBI-së James Comey në muajin maj, edhe pse vetë zoti Trump i tha më vonë kanalit NBC News se vendimi i tij kishte lidhje me çështjen e Rusisë.

Ndërkohë që prokurori i posaçëm Robert Mueller po heton nëse ky shkarkim përbënte një pengim të drejtësisë në hetimin për Rusinë, FBI-ja e drejtuar tani nga Christopher Wray përballet me sfidat e veta.

“Drejtor, kam filluar të kem dyshime serioze te FBI-a për integritetin e disa prej niveleve më të larta të saj, për shkak të veprimeve të ndërmarra nga agjencia juaj”, tha republikani Raul Labrador.

Kritikët e vënë theksin te çështja e një agjenti të FBI-së që punonte me ekipin hetues të zotit Mueller dhe që thuhet se shkëmbente mesazhe SMS pro zonjës Clinton.

“Nëse Mueller heq nga ekipi të gjithë ata që janë kundër Trumpit, nuk besoj se do të mbetej ndonjë,” tha republikani Jim Jordan.

Nga ana e tyre, demokratët e Kongresit duan të dinë nëse shkarkimi i zotit Comey nga Presidenti Trump përbën pengim të drejtësisë.

“Zoti Wray, a keni arsye për të dyshuar në dëshminë e drejtorit Comey apo të Prokurorit të Përgjithshëm Sessions në këtë pikë?” pyeti demokrati Jerrld Nadler.

Drejtori i FBI-së nuk pranoi të përgjigjej. Ai konfirmoi pavarësinë e FBI-së nga Shtëpia e Bardhë:

“A ju ka kërkuar ndonjëherë Presidenti Trump t’i shprehni besnikërinë?”

“Kurrë nuk më është kërkuar nga Presidenti t’i betohem për besnikëri,” u përgjigj drejtori i FBI-së.

Është një pyetje që me siguri do të shtrohet përsëri ndërkohë që prokurori Mueller vazhdon hetimet.

SHBA: Zbulimi i vrimës së zezë do të hedhë dritë në njohjen e universit

Shkencëtaarët në Shtetet e Bashkuara thonë se e kanë zbuluar vrimën e zezë më të largët që ndonjëherë është vëzhguar, i cili është një fenomen qiellor, që është 800 milionë herë më masiv se Dielli.

Astronomët në Institutin Carnegie për shkencë, thanë në revistën, Nature, që është publikuar dje, se vrima e zezë është në qendër të një objekti qiellor shkëlqyes, i quajtur “quasar”, larg nga Toka afro 13.1 miliardë vjet të dritës.

Për dallim, Toka është e vjetër afro 4.5 miliardë vjet të dritës.

Astronomi, Eduardo Banados, tha se “nëse universi do të ishte një person 50 vjeçar, ne po e shohim një fotografi të atij personi kur ai ose ajo i ka pasur 2 e deri në dy vjet e gjysmë”.

Robert Simcoe, profesor i fizikës në Institutin Masaçusets për Teknologji, tha se objekti “na mundëson matje të kohës, në të cilën universi së pari ishte ndriçuar nga drita e yjeve”.

Trump i riu refuzoi të thotë se çka i tha presidentit për takimin me rusët

Donald Trump i riu

Donald Trump i riu ka refuzuar tu thotë ligjvënësve amerikanë për bisedën me babain e tij, lidhur me takimin e vitit 2016 me disa rusë në ndërtesën Trump Tower, ka thënë ligjvënësi demokrat, Adam Schiff.

Trump i riu mbrëmë ka folur në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara nën dyer të mbyllura, në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Trump i riu tha se ai nuk i ka treguar presidentit për takimin në qershor të vitit 2016 ndërmjet zyrtarëve të fushatës Trump dhe disa operativistëve rusë, kur ky takim ka ndodhur, dhe ka refuzuar të thotë se çka i ka thënë babait të tij pasi kjo mbledhje ishte zbuluar për publikun këtë vit.

Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Adam Schiff, demokrat, tha se Trump i riu i tha komitetit se ai nuk mund të flasë për bisedat me babain e tij për shkak të një parimi juridik.

Por, demokrati Schiff është shpehur dyshues se ky ishte shkak i vlefshëm për të mos i treguar Kongresit amerikan lidhur me këtë bisedë.

Një informator zbulon mesazhet e zotit Flynn për sanksionet ndaj Rusisë

Vetëm 11 minuta pasi Donald Trump ishte bërë president, këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, Michael Flynn, i dërgoi një mesazh me celular ish-partnerit të tij në biznes. Mesazhi i dërguar nga shkallët e Kapitolit thoshte se ishte gati një plan amerikan për të bashkëpunuar me Rusinë për ndërtimin e centraleve të energjisë bërthamore në Lindjen e Mesme. Këto të dhëna u bënë të ditura nga një informator anonim.

Sipas të njëjtit burim, zoti Flynn gjithashtu e siguroi ish-bashkëpunëtorin e tij se do të hidheshin poshtë sanksionet e imponuara nga ish-Presidenti Barack Obama në përgjigje të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane.

Të dhënat u bënë publike dje nga Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings, i cili kryeson grupin e demokratëve në Komisionin e Mbikqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve. Më pak se një javë më parë, zoti Flynn pranoi fajësinë se pati gënjyer hetuesit federalë kur e morën në pyetje disa ditë pas inaugurimit të Presidentit Trump, rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington gjatë javëve përpara se zoti Trump të merrte pushtetin.

Ligjvënësi Cummings nuk zbuloi emrin e informatorit. Por, ai rrëfen se në ditën e inaugurimit, më 20 janar, informatori kishte marrë pjesë në një aktivitet së bashku me Alex Copson, ish-partner në kompaninë ACU Strategic Partners dhe ortak në biznes me zotin Flynn, i cili i dërgonte mesazhe nga radhët e karrigeve pas zotit Trump, ndërsa ai mbante fjalimin e inaugurimit.

Sipas Ligjvënësit Cummings, informatori e pati pyetur zotin Copson se si po ia kalonte, dhe ai ishte përgjigjur se: “Nuk bëhet më mirë. Kjo është dita më e mirë e jetës time”.

Zoti Copson tha se kishte marrë një mesazh nga zoti Flynn se projekti bërthamor për të cilin zoti Copson kishte vite që po punonte, ishte aprovuar dhe se duhet të informoheshin partnerët e tyre në biznes që të përgatisnin gjërat. Ligjvënësi Cummings e përshkruan këtë ndodhi me detaje në një letër dërguar kreut të Komisionit të Mbikqyrjes, Ligjvënësit republikan Trey Gowdy.

Zoti Copson i pati treguar celularin me mesazhin e dërguar nga zoti Flynn, megjithëse ai nuk e lexoi në ekran. Por, ai vërejti se koha e marrjes së mesazhit ishte 12:11, pra vetëm 11 minuta pasi Donald Trump u betua si presidenti i 45-të i vendit.

Siç përshkruhet në letrën e Ligjvënësit Cummings, zoti Copson i tha informatorit se “Mike (Flynn) ka përgatitur çdo gjë për ne. Sot do ta festoj. Me këtë gjë do të pasurohen së tepërmi shumë njerëz.

Ligjvënësi Cummings thotë se pasi u takua me informatorin, mendon se ai “është autentik, i besueshëm dhe i qëndrueshëm”.

24 ditë më pas, Presidenti Trump e shkarkoi zotin Flynn nga posti i tij kryesor në Shtëpinë e Bardhë, pasi përgjimet tregonin se kishte diskutuar për sanksionet me ambasadorin e Rusisë, Sergey Kislyak, por edhe kishte gënjyer Nënpresidentin Mike Pence dhe zyrtarë të tjerë të administratës Trump rreth natyrës së bisedave të tij me të dërguarin e Moskës.

Realisht, sanksionet e vendosura nga ish-Presidenti Obama, dëbimi i 35 diplomatëve rusë dhe mbyllja e dy objekteve ruse në SHBA, nuk u anulluan ndonjëherë. Muaj më vonë, Rusia u kundërpërgjigj duke urdhëruar shkurtimin e 755 nga 1200 punonjësit e misioneve diplomatike të SHBA-së në Rusi, një pjesë e madhe të cilëve ishin shtetas rusë.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller është duke zhvilluar një hetim të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane. Komuniteti i shërbimeve amerikane të zbulimit konkludoi se ndërhyrja ruse ishte drejtuar personalisht nga Presidenti Vladimir Putin, duke synuar të dëmtohej demokracia amerikane dhe të ndihmohej kandidati republikan Donald Trump, përkundër rivales demokrate, ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton.

Zoti Putin ka mohuar të ketë patur ndërhyrje të Rusisë, ndërsa Presidenti Trump ka kundërshtuar vazhdimisht hetimet e Kongresit dhe të Prokurorit Mueller të lidhjeve të mundshme të fushatës së tij elektorale me Rusinë, duke i quajtur ato si justifikime të demokratëve për mposhtjen e zonjës Clinton.

Paralelisht me pranimin e fajësisë, zoti Flynn ka rënë dakort edhe të bashkëpunojë me hetimin e Prokurorit të posaçëm Mueller.

Vendimi për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet pritet me reagime

Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, u prit me kritika në botën arabe si dhe në Evropë apo në qarqe të tjera.

Në një fjalim që mbajti dje, zoti Trump e quajti vendimin një hap që duhej të ishte marrë shumë kohë më parë, sepse presidentët paraardhës, sipas tij, nuk iu përmbajtën një premtimi që i ishte bërë Izraelit 22 vjet më parë.

Megjithatë, statusi i Jerusalemit mbetet një çështje e diskutueshme, për të cilën shumë analistë besojnë se duhet të negociohet midis izraelitëve dhe palestinezëve. Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës përgatiti këtë material.

Siç pritej, palestinezët dhe mbështetësit e tyre në mbarë botën reaguan me zemërim ndaj vendimit të presidentit amerikan për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Zoti Trump po zbaton ekstremizmin fetar këtu dhe jashtë dhe i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse perspektivave të paqes në rajon”, thotë Nihad Awad, i Këshillit për marrëdhëniet amerikano-myslimane.

Ka shqetësime se vendimi i Presidentit Trump minon idenë e zgjidhjes me dy shtete për Lindjen e Mesme. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se statusi i Jerusalemit duhet të zgjidhet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe përsëriti se çdo veprim i njëanshëm mund të dëmtojë përpjekjet për paqe.

“Do të bëj gjithçka që kam në dorë për të mbështetur udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë që të kthehen në negociata”, tha zoti Guterrez.

Kryenegociatori palestinez Saeb Erakat tha se vendimi i zotit Trump i skualifikon Shtetet e Bashkuara si lojtar në procesin e paqes në Lindjen e Mesme:

“Vendimi është në shkelje të plotë të së drejtës ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut dhe po e kthen konfliktin midis palestinezëve dhe izraelitëve nga një politikë në një çështje fetare”, tha zoti Erekat.

Disa analistë besojnë se vendimi i zotit Trump sinjalizon fundin e procesit të paqes të udhëhequr nga amerikanët.

“Publiku palestinez nuk do ta lejojë këtë. Çdo udhëheqës palestinez që do të përpiqet, do të diskreditohej plotësisht në sytë e popullit të tij. Mendoj se kjo shënon fundin e një procesi paqësor të udhëhequr nga amerikanët”, tha Khaled Elgindy i Institutit Brookings në Uashington.

Kreu i një grupi që mbështet hebrejtë ortodoksë në Uashington i tha Zërit të Amerikës se njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit do të ndihmojë në ringjalljen e procesit të paqes.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi zotin Trump se po krijon kaos në Lindjen e Mesme:

“Të bësh një hap të tillë është ta zhysësh këtë rajon në një unazë zjarri. Zoti Trump, çfarë po përpiqesh të bësh? Udhëheqësit politikë nuk janë për të krijuar trazira por për të bërë paqe,” tha zoti Erdogan.

“Njoftimi i Presidentit Trump dhe fillimi i procesit të lëvizjes së ambasadës i dërgojnë një mesazh shumë të rëndësishëm palestinezëve dhe të tjerëve, pra, se është në interesin tuaj të gjeni mënyra për të ndalur së pari ato gjëra që dëmtojnë një proces potencialisht paqësor”, tha Nathan Diament.

Një ligj amerikan i vitit 1995 parashikon një zhvendosje të ambasadës së SHBA në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, por deri tani të gjithë presidentët përpara zotit Trump e kanë shtyrë një vendim të tillë për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Trumpi bën të qarta planet për të shpallur Jeruzalemin, kryeqytet të Izraelit

Presidenti Donald Trump po telefonon disa udhëheqës të Lindjes së Mesme përpara një njoftimi të pritshëm sot se Shtetet e Bashkuara do të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se presidenti Trump foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, me kreun palestinez Mahmud Abbas dhe me mbretin Abdullah të Jordanisë në mëngjes dhe do të telefononte udhëheqës të tjerë rajonalë më vonë gjatë ditës.

Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Shtëpia e Bardhë për thelbin e bisedave, por shtypi palestinez njoftoi se presidenti Trump i kishte konfirmuar zotit Abbas se njohja e Jeruzalemit do të ishte e afërt.

Shtetet arabe dhe muslimane kanë paralajmëruar se një deklaratë e tillë mund të shkatërrojë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje paqësore arabo-izraelite. Udhëheqësi i lartë palestinez Nabil Shaath tha se presidenti Trump nuk do të shihej më si një ndërmjetës i besueshëm.

“Autoriteti palestinez nuk e pranon dhunën, por mund të mos jetë në gjendje të kontrollojë rrugët dhe të parandalojë një kryengritje të tretë palestineze,” – tha zoti Shaath, duke folur në arabisht.

Jeruzalemi qëndron në zemër të konfliktit izraelito-palestinez dhe bashkësia ndërkombëtare thotë se statusi i tij përfundimtar duhet të përcaktohet në negociata. Megjithatë, Presidenti Trump thotë se është i përkushtuar ndaj një premtimi të bërë gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, për ta lëvizur ambasadën amerikane nga Tel Avivi, një masë që mbështetet nga shumë hebrej amerikanë dhe evangjelistë të krishterë.

Jerusalemi është vendi ku ndodhet xhamia Al Aksa, vendi i tretë më i shenjtë për fenë islame. Për hebrenjtë është mali i Tempullit, vendi më i shenjtë.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka kërcënuar të shkëpusë lidhjet me Izraelin, nëse presidenti Trump e njeh Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

“Zoti Trump, Jeruzalemi është një vijë e kuqe për muslimanët”, tha Erdogan, duke shtuar se Turqia “mund të shkojë deri në shkëputjen e lidhjeve diplomatike me Izraelin për këtë çështje”.

Një ligj i vitit 1995 kërkon zhvendosjen në Jeruzalem të ambasadës amerikane në Izrael, por i njeh Presidentit të drejtën të shtyjë çdo gjashtë muaj vendimin për çështje të sigurisë kombëtare. Çdo president amerikan, që nga koha e presidentit Clinton, e ka përdorur këtë të drejtë, përfshirë presidentin Trump, i cili e bëri këtë qershorin e kaluar.

Në prag të njoftimit të pritur të presidentit Trump, agjencia Reuters citoi zyrtarë të paidentifikuar të Departamentit të Shtetit të kenë shprehur shqetësim për mundësinë e një reagimi të dhunshëm kundër Izraelit, si dhe ndoshta kundër interesave amerikane në rajon.

Ambasadat amerikane në mbarë botën janë urdhëruar të rrisin masat e sigurisë në pritje të protestave të mundshme.

Gerald Feierstein, drejtor për çështjet e Gjirit dhe Marrëdhëniet Qeveritare në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, thotë se niveli i zemërimit që mund të nxisë njoftimi, varet shumë nga ajo që do të thotë presidenti Trump.

“Nëse presidenti thotë vetëm “ne e njohim Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit”, pa u përpjekur ta përcaktojë më tej dhe pa filluar vërtet procesin e lëvizjes së ambasadës, atëherë është shumë zhurmë për asgjë”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Feierstein, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA në Jemen dhe më vonë si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt, nën Presidentin Barak Obama, thotë se nëse presidenti Trump shkon më tej, kjo mund të shkaktojë një reagim të ashpër dhe të jetë një goditje dërrmuese në përpjekjet për paqe.

“Nëse ajo që do të thotë është në të vërtetë një njohje e të gjithë Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit dhe nuk i përmbahet më qëndrimit ndërkombëtar që Jeruzalemi duhet të ndahet dhe që Jeruzalemi Lindor të bëhet kryeqyteti i shtetit palestinez pasi të ketë një marrëveshje, atëherë kjo do të ketë një efekt shumë negativ në procesin e paqes”, tha zoti Feierstein.

“Pra, djalli është në hollësitë e deklaratës, për të përcaktuar se sa e rëndësishme do të jetë ajo.”

Ligjvënësi amerikan Conyers jep dorëheqjen

Ligjvënësi amerikan John Conyers njoftoi të martën tërheqjen e menjëhershme dhe tha se nuk do të garojë për t’u rizgjedhur, një zhvillim që vjen pas akuzave nga disa gra, për ngacmime seksuale.

Ai tha gjithashtu se do të mbështeste djalin e tij për ta zëvendësuar.
Zoti Conyers, ligjvënësi afro-amerikan që ka shërbyer më gjatë në histori, e njoftoi vendimin të martën gjatë një interviste me një stacion radiofonik në Detroid. Por megjithatë ai vazhdon t’i mohojë akuzat ndaj tij.

Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve hapi një hetim lidhur me ligjvënësin 88 vjeçar John Conyers pasi ai tha se zyra e tij kishte paguar para për të zgjidhur një çështje ligjore për ngacmime seksuale, por jo me pranim faji.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan dhe ligjvënësja Nancy Pelosi në deklarata të veçanta kanë kërkuar largimin e zotit Coyers pas akuzave për ngacmime seksuale.

Raportet: Mueller kërkon të dhëna për Trumpin nga Deutsche Bank

Sipas raporteve të mediave, këshilltari special amerikan, Robert Mueller, ka kërkuar nga Deutsche Bank e Gjermanisë, të dhëna lidhur me xhirollogaritë e presidentit, Donald Trump, dhe familjes së tij.

Agjencia Reuters, duke i cituar njerëzit e afërt me këtë çështje, sot ka raportuar se Mueller i ka bërë kërkesë bankës më të madhe gjermane, para disa javësh, për të dhënë informacione për para të caktuara dhe transakcione kreditore.

Për këtë kërkesë më herët ka raportuar gazeta gjermane, Handelsblatt.

Deutsche Bank, që më parë i ka refuzuar kërkesat e ngjashme, duke cituar legjislacionet për privatësi, tha se nuk do të bënte komente për çfarëdo klienti të saj.

Mueller po zhvillon hetime për përpjekjet e dyshuara ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016 dhe për ndonjë marrëveshje të fshehtë potenciale ndërmjet fushatës së tij dhe rusëve.

Katër vetë janë akuzuar për vepër penale lidhur me këtë hetim, përfshirë ish-këshilltarin për siguri kombëtare të Trumpit, Michael Flynn, dhe ish-shefin e fushatës Trump, Paul Manafort.

Rusia i ka hedhur poshtë pretendimet për përzierje në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, përkundër faktit se zyrtarë të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara thonë se ka dëshmi të fuqishme për përzierjen ruse.

Presidenti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet se ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë ndërmjeet bashkëpunëtorëve të tij dhe Rusisë.

Zjarr në SHBA, evakuohen mbi një mijë familje

Zjarri shpërtheu në zonën rreth 100 kilometra nga Los Angeles, ndërsa me ndihmë të erës zjarri u përhap në sipërfaqe prej 40 kilometrash katrore

SANTA PAULO– Mbi një mijë familje janë evakuuar për shkak të zjarrit që shpërtheu në zonën pyjore në jug të shtetit federal amerikan të Kalifornisë.

Nga Brigada zjarrfikëse të Ventura-s u bë e ditur se zjarri shpërtheu në rrethinën e qytetit Santa Paulo, për shkak të cilës u evakuan mbi një mijë amvisëri.

Zjarri shpërtheu në zonën rreth 100 kilometra nga Los Angeles, ndërsa me ndihmë të erës zjarri u përhap në sipërfaqe prej 40 kilometrash katrorë. aa

Gjykata e Lartë amerikane lë në fuqi ‘ndalimin e udhëtimeve’

Në një zhvillim që mund të cilësohet si fitore për presidentin Donald Trump, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, vendosi që të lërë në fuqi ndalimin e tij të udhëtimeve nga vende të ndryshme, derisa lufta ligjore vazhdon në gjykatat më të ulta.

Shtatë nga nëntë gjykatësit vendosën në mbështetje të administratës, ndërsa dy prej tyre, Ruth Bader Ginsburg and Sonia Sotomayor, ishin kundër.

Gjykata nuk dha shpjegime rreth vendimit.

Ndalimi i udhëtimeve, i treti me radhë i shpallur nga presidenti Trump, përfshinë tetë vende; Çadin, Iranin, Libinë, Korenë e Veriut, Somalinë, Sirinë, Venezuelën dhe Jemenin. Gjashtë prej tyre janë më shumicë myslimane.

Gjykatat në Maryland dhe Hawaii e kanë bllokuar hyrjen në fuqi të ndalimit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, në thelb hedh poshtë një kompromis që përjashton shtetasit e huaj që kanë pretendime të besueshme për një marrëdhënie të mirëfilltë me dikë në Shtetet e Bashkuara. Kjo përfshin gjyshërit, vëllezërit dhe motrat, hallat, xhaxhallarët dhe kushërinjtë.

Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si “një fitore thelbësore për sigurinë e popullit amerikan”, duke theksuar se ndalimi i udhëtieve është domosdoshëm për të mbrojtura vendin nga kërcënimet.

Një jurist i administratës së presidentit Trump tha se disa qeveri të huaja janë të mangëta për të këmbyer informata mbi ata që kërkojnë viza amerikane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, tha se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është befasues dhe se ai është “thelbësor për mbrojtjen e atdheut”.

Por Këshilli për Marrëdhëniet amerikano-islamike e cilësoi ndalimin e udhëtimeve si ‘ndalim të myslimanëve”.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë është një përkujtues i mirë se nuk mund të mbështetmi në gjykata për të trajtuar përpjekjet e administratës së presidentit Trump për të margjinalizuar myslimanët dhe pakicat tjera”, tha Gadeir Abbas nga ky këshill.

Gjykata e Lartë ka rënë dakord të dëgjojë argumentet për dhe kundër ndalimit të udhëtimit, sapo çështja të ketë kaluar nëpër gjykatat më të ulta.

Rusia shpall Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë – agjentë të huaj

Ministria ruse e Drejtësisë i shpalli të martën nëntë media amerikane, përfshirë Zërin e Amerikës, si “agjentë të huaj”.

Ministria radhiti në listë Radion Evropa e Lirë/Radio Liria dhe disa nga partnerët e saj, pas paralajmërimit muajin e fundit se ato mund të preken.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi në nëntor ligjin që i jep autoritet qeverisë t’i shpallë mediet që financohen nga jashtë si “agjentë të huaj: dhe të vendosë sanksione ndaj tyre.

Zyrtarët rusë e cilësuan ligjin e ri si “përgjigje simetrike” ndaj asaj që ata e përshkruajnë trysni amerikane ndaj medies ruse. Më 13 nëntor, kanali televiziv i financuar nga shteti rus, RT, u regjistrua në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjit dhjetëra vjeçar për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman, tha se FARA synon nxitjen e transparencës, por nuk kufizon veprimtarinë e rrjetit televiziv në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i shtetit e dënoi ligjin rus tha ditë më parë duke theksuar se “legjislacioni i ri rus që i lejon ministrisë së Drejtësisë të përcaktojë mediet si “agjentë të huaj”, dhe të mbikëqyrë apo të bllokojë aktivitete të caktuara në internet, paraqet një tjetër kërcënim për mediet e lira në Rusi.

“Grushti i shtetit”, Turqia kërkon arrestimin e ish-zv.kreut të CIA-s

Tensionet diplomatike mes Turqisë dhe Shteteve të bashkuara nuk janë ulur, me lëvizjet e fundit nga qeveria turke që tregojnë se nuk kanë asnjë synim të zbusin qëndrimin për atë çka ata besojnë, përfshirë implikimin e disa ishzyrtarëve amerikanë në përpjekjen për grusht shteti.

Kryeprokurori në Turqi ka nxjerrë një fletarrest për një ish-oficer të CIA-s, Graham Fuller, duke e akuzuar atë se ka lidhje me klerikun mysliman, Fethullah Gulen, që jeton në SHBA dhe se ka tentuar të rrë- zojë qeverinë turke. Fuller ka qenë zv.kryetar i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA. Ai akuzohet për lidhje me klerikun Gulen, i cili shihet nga zyrtarët në Turqi si autor i përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrikun e vitit 2016. Gulen i mohon akuzat.

Më shumë se 50,000 njerëz janë arrestuar në Turqi apo janë në pritje të gjykimit për lidhje me Gulen. Rreth 150 mijë të tjerë janë shkarkuar nga detyra në sektorë privatë e publikë, që nga përpjekja për grusht shteti në korrik, 2016. Që nga përpjekja për grusht shteti në vend, marrëdhëniet mes SHBA dhe Turqisë janë ftohur.

I pari që përgëzoi Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për bllokimin që i bëri grushtit të shtetit, ishte Presidenti rus, Vladimir Putin. Ndërsa Erdogan tha se reagimi nga SHBA ishte shumë vonë dhe jo aq i fortë sa pritej. Marrëdhëniet janë ftohur më shumë gjatë muajve të fundit. Të hënën e kaluar, një tregtar floriri turko-iranian tha në një Gjykatë amerikane se Presidenti turk, Erdogan, personalisht kishte aprovuar marrëveshjen e thyerjes së sanksioneve me Iranin.

Reza Zarrab është një dëshmitar kyç në një gjykim kriminal ndaj një bankieri të lartë turk, i cili pretendohet se ka punuar me të për të ndihmuar Iranin të pastrojë para. Presidenti Erdogan ka mohuar se Turqia i ka thyer sanksionet e SHBA me Iranin.

Përpara kësaj, Turqia ka hedhur poshtë një raport se ishkëshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, ishte pjesë e një komploti për të dërguar me forcë Gulen në Turqi, në këmbim të miliona dollarëve. Në tetor, Uashingtoni dhe Ankaraja janë përfshirë në një debat në shkallë konsullatash, duke bllokuar reciprokisht shërbimin e vizave.

PANORAMA

Kushner: Trump ende nuk ka vendosur për njohjen e Jerusalemit

Jared Kushner gjatë fjalimit të mbrëmshëm në Uashington

Presidenti amerikan, Donald Trump, ende nuk ka vendosur nëse do ta pranojë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit apo nëse ai do të urdhërojë lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem, ka thënë këshilltari i tij, Jared Kushner.

Zoti Kushner, që është edhe dhëndër i presidentit Trump, tha mbrëmë se Trump po vazhdon t’i shqyrtojë opsionet e tij para shpalljes, e cila pritet këtë javë.

“Presidenti do ta marrë vendimin e vet”, tha Kushner në një ngjarje të organizuar nga Instituti Brookings në Uashington, dhe ka shtuar se “ai ende po i shikon shumë fakte të ndryshme”.

Këto komente u bënë pas raporteve në mediat amerikane, në ditën e parë të këtij muaji, se presidenti Trump është afër për ta shpallur njohjen e Jerusalemit si kryeqytet, megjithqë konsiderohet se ai do ta shtyjë vendimin eventual për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jerusalem.

Statusi i Jerusalemit është njëra prej çështjeve më kontestuese në konfliktin izraelito – palestinez.

Presidenti Trump thotë se kurrë nuk u përpoq të bllokonte hetimin për ish-këshilltarin Flynn

Presidenti amerikan Donald Trump, në një sërë mesazhesh në Twitter nga Shtëpia e Bardhë, sulmoi Byronë Federale të Hetimeve, FBI dhe tha se nuk i kishte kërkuar ish-drejtorit të FBI-së, James Comey të ndalte hetimin e ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare, Michael Flynn për kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Reputacioni i FBI-së është “copëtuar, në pikën më të ulët në histori”, por siç tha ai administrata e Presidentit Trump do “t’ia rikthejë madhështinë”, deklaroi presidenti në Twitter.

Në një postim tjetër në Twitter lidhur me dëshminë e zotit Comey para Kongresit se presidenti i kishte kërkuar të ndalte hetimin e zotit Flynn, zoti Trump tha “thjesht më shumë lajme të rreme për të mbuluar një tjetër gënjeshtër të zotit Comey”.

Këto mesazhe vijnë dy ditë pasi zoti Flynn pranoi se i kishte gënjyer agjentët e FBI-së lidhur me bisedat që kishte pasur me ish-ambasadorin rus, Sergey Kislyak në javët para se zoti Trump të merrte detyrën në Janar.

Zoti Trump, të dielën në të njëjtën platformë të medias sociale sulmoi FBI-në edhe për lajmin se një agjent që kishte shkruar emaile në favor të ish-kandidates demokrate Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale, ishte përjashtuar nga ekipi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, pasi u zbuluan emailet.

“Tani çdo gjë është e qartë”, tha zoti Trump.

“Presidenti nuk duhet të bëjë asnjë koment për asnjë nga këto hetime. E vetmja gjë që ai duhet të bëjë është të udhëzojë të gjithë këshilltarët e tij dhe njerëzit e tjerë të lidhur me të që të bashkëpunojnë plotësisht”, tha senatorja republikane, Susan Collins në televizionin NBC News.

Një tjetër postim në Twitter nga Presidenti Trump, po tërheq vëmendjen. Pasi zoti Flynn pranoi akuzat e FBI-së, mesazhet e reja të Presidentit Trump linin të kuptohej se ai kishte qenë në dijeni se zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në, veprim që dënohet me ligj në Shtetet e Bashkuara. Ky është një ndryshim thelbësor nga mesazhet në të kaluarën të Presidentit Trump për motivet e shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, Presidenti shtoi sot se ai nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së Comey të ndalonte hetimet ndaj zotit Flynn dhe se kjo është një gënjeshtër e zotit Comey.

Presidenti Donald Trump duket se ndryshoi variantin e tij për arsyet se pse shkarkoi Michael Flynn nga posti i këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare. Fillimisht, Presidenti pati thënë se e kishte shkarkuar pasi nuk ishte treguar i sinqertë me Nënpresidentin Michael Pence rreth kontakteve me rusët gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit presidencial.

Dje, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se iu desh ta shkarkonte Gjeneralin Flynn pasi gënjeu Nënpresidentin dhe FBI-në dhe se ai tashmë ka pranuar fajësinë për këto gënjeshtra. Presidenti shton se veprimet e zotit Flynn gjatë periudhës së tranzicionit ishin të ligjshme dhe se nuk kishte gjë për të fshehur.

Ky mesazh i fundit sugjeron se Presidenti e dinte që zoti Flynn kishte gënjyer FBI-në dhe Nënpresidentin për kontaktet e tij me rusët. Presidenti Trump nuk e ka përmendur më parë FBI-në në prononcimet e tij për zotin Flynn dhe kontaktet me rusët.

Në Shtetet e Bashkuara është e kundraligjshme të gjënjesh FBI-në.

Presidenti shtoi sot në Twitter se nuk i pati kërkuar kurrë ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, që të ndalonte hetimet për zotin Flynn, dhe se këto janë lajme të rreme të bazuara tek gënjeshtra e zotit Comey.

Mesazhet e Presidentit Trump në Twitter kanë krijuar konfuzion për çfarë ai dinte apo nuk dinte për kontaktet e zotit Flynn me rusët.

Ndërkohë u njoftua se Peter Strzok, një agjent veteran i FBI-së që ishte pjesë e ekipit hetimor të prokurorit të posaçëm Mueller, u përjashtua nga ekipi i hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në fushatën zgjedhore amerikane. Zoti Strzok pati shkëmbyer në muajin korrik mesazhe anti-Trump dhe pro-Clinton me një tjetër juriste që ishte pjesë e ekipit hetimor. Mësohet se ai pati shërbyer edhe në ekipin që hetoi përdorimin e një serveri privat email-i nga zonja Hillary Clinton, gjatë periudhës që ajo ishte në postin e Sekretares së Shtetit.


Send this to a friend