VOAL

VOAL

Manafort deklaron pafajësinë ndaj akuzave të reja

Ish menaxheri i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort tha se nuk është fajtor për disa akuza të reja të ngritura ndaj tij javën e kaluar nga Prokurori Special Robert Mueller, i cili është duke zhvilluar hetime për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Gjyqi ndaj zotit Manafort është caktuar për më 17 shtator.

Sipas akuzave të reja, Manafort, me ndihmën e ish partnerit të biznesit dhe ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Rick Gates, ishin angazhuar në pastrimin e parave me vlerën e 30 milionë dollarëve, në llogari bankare jashtë vendit dhe se “i kishin përdorur pasuritë e fshehura jashtë vendit për të patur një jetë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksën mbi të ardhurat.”

Ata akuzohen se i kanë fituar paratë nga bizneset e tyre në Ukrainë dhe i kanë paraqitur ato si “hua”, për të shmangur taksat. Në aktpadi thuhet se ata i kanë përdorur paratë për të blerë pasuri të patundshme, për rinovime në shtëpi dhe në rastin e zotit, Gates, se i ka përdorur ato për të paguar për shkollën e fëmijëve.

Javën e kaluar Gates pranoi se ishte fajtor për mashtrime financiare dhe se i kishte gënjyer hetuesit lidhur me përpjekjet e tij lobuese për qeverinë e mëparshme ukrainase pro-Moskës, para se të merrte rolin e zyrtarit të fushatës së zotit Trump.

Fajin se nuk kanë treguar të vërtetën gjatë hetimit nga zoti Mueller, po ashtu e kanë pranuar ish këshilltari i zotit Trump për sigurinë kombëtare Michael Flynn, ish këshilltari për çështjet e jashtme George Papadopoulos dhe ish juristi holandez Alex van der Zwaan.

Zyrtari i zbulimit: Trumpi nuk ka dhënë udhëzime për të ndalur ndërhyrjen ruse

Një zyrtar i lartë amerikan i zbulimit tha se Presidenti Donald Trump nuk i ka dhënë udhëzime specifike për t’iu kundërvënë përpjekjeve ruse për ndëhyrje në zgjedhjet e këtij viti për në Kongres, që u ngjajnë përpjekjeve ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte.

Admirali Mike Rogers, drejtor i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, tha gjatë dëshmisë së tij në Kongres se atij nuk i kishin dhënë autoritet shtesë në prag të zgjedhjeve të këtij viti. Ai tha se mendimi i tij është se nuk është bërë sa duhet për të marrë masa të gjithanshme për t’iu kundërvënë ndërhyrjes ruse, në fushën diplomatike, ekonomike dhe kibernetike.

Sipas admiralit, presidenti rus Vladimir Putin ka arritur në përfundimin se kostoja që i duhet të paguajë për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane është e vogël. Pas dëshmisë së admiralit Rogers, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, nuk komentoi se për çfarë autoriteti e kishte fjalën admirali, por shtoi se Presidenti Trump po përpiqet të gjejë mënyra për të mos lejuar ndërhyrjen ruse.

Uashington: Një rrugë me emrin Boris Nemtsov, udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse

Një rruge pranë ambasadës ruse në Uashington iu vendos emri i Boris Nemtsovit, një udhëheqës i opozitës ruse, i cili u vra tre vjet më parë në Moskë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Elizabeth Cherneff sjell më shumë detaje.

Një grup i vogël njerëzish u mblodh në Uashington në ceremoninë e emërtimit të një rruge pranë ambasadës ruse, Boris Nemtsov. Ish zëvendës kryeministri rus dhe një nga kritikët e mëdhenj të presidentit Vladimir Putin u vra në vitin 2015 në një urë pranë Kremlinit.

Në ceremonisë e zhvilluar dje, zyrtarët e qeverisë së qytetit dhe ligjvënësit amerikanë nderuan punën e udhëheqësit të vrarë të opozitës ruse.

Për vajzën e Boris Nemtsov-it, kjo ishte hera e parë që nga vrasja, që babai i saj nderohej.

“Është shumë e vështirë të përshkruaj atë që ndjej tani, kemi luftuar për shumë kohë që kjo të ndodhë. Shumë njerëz ishin të përfshirë. Ndoshta një ditë do të jem në gjendje ta analizoj, por kur shoh rrugën “Boris Nemtsov”, ndihem krenare”, tha Zhanna Nemtsov, vajza e Boris Nemtsovit.

Kur u vra në vitin 2015, ish udhëheqësi i opozitës po punonte mbi një raport mbi rolin e Rusisë në konfliktin e Ukrainës.

I pyetur lidhur me ceremoninë për nder të tij, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit iu referua trashëgimisë së Boris Nemtsovit, për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë.

“I bëjmë thirrje qeverisë ruse t’i përmbahet detyrimeve për të mbrojtur të drejtat universale të njeriut, përfshirë lirinë e shprehjes, tubimin paqësor dhe lirinë për krijimin e grupimeve. I bëjmë thirrje qeverisë ruse të sigurojë, që të gjithë ata që kanë patur rol në vdekjen e tij, përfshirë ata që e organizuan apo që urdhëruan vrasjen, të dalin përpara drejtësisë”, tha Heather Nauert.

Të dielën e kaluar në Moskë, mijëra rusë u mblodhën për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Boris Nemtsovit. Ata vendosën lule dhe nderuan ish udhëheqësin opozitar në një memorial të improvizuar në qytet.

“Ai ishte një njeri i madh, guximtar, i ndershëm dhe me parime. Ai do të kujtohet gjatë dhe me kalimin e kohës, kësaj urë do t’i vendoset emri i tij, sikurse do të vendoset dhe një monument”, thotë Yevgeny Yavistky, arkitekt.

Administrata Trump fiton betejën ligjore për ndërtimin e murit

I njëjti gjykatës federal, të cilin Presidenti Donald Trump e vuri në lojë gjatë fushatës presidenciale për shkak të origjinës së tij meksikane, vendosi në favor të dëshirës së presidentit për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit meksikan.

Gjyqtari Gonzalo Curiel të martën i rrëzoi ankesat e paraqitura nga shteti i Kalifornisë dhe një numër i grupeve të mjedisit kundër ndërtimit të murit.

Presidenti Donald Trump e vlerësoi vendimin, duke e quajtur atë një “fitore të madhe ligjore”.

Gjykatësi tha se pala paditëse nuk arriti të provonte se administrata e tejkaloi autoritetin e saj ligjor duke urdhëruar ndërtimin e murit.

Ata kishin argumentuar se projekti shkelte rregullat mjedisore dhe të drejtat e shteteve për të vendosur nëse e dëshirojnë murin nga ana e tyre e kufirit.

Gjykatësi Curiel tha se vendimi i tij nuk bazohej në faktin nëse ndërtimi i murit është “një veprim politikisht i mençur apo i matur”.

Curiel ishte gjykatësi që mbikëqyri paditë e ngritura për mashtrim ndaj Universitetit Trump gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës. Trump, atëherë një kandidat republikan, vuri në lojë gjyqtarin e lindur në Shtetet e Bashkuara, por me origjinë meksikane, dhe e akuzoi atë për paragjykime.

Trump arriti një marrëveshje duke paguar një shumë prej disa miliona dollarësh për mbylljen e çështjes gjyqësore të universitetit, pa pranuar fajësinë.

Presidenti Trump emëron kreun e fushatës për rikandidimin e tij

Presidenti Donald Trump ka emëruar ish-këshilltarin e tij për strategjinë dixhitale Brad Parscale si menaxher të fushatës për rikandidimin e tij për Shtëpinë e Bardhë në 2020-n.

Në një deklaratë zyrtare zoti Parscale përmendej si një “talent i jashtëzakonshëm, i zgjedhur për shkak të suksesit të shënuar”.

Gjatë vitit të kaluar, 42-vjeçari Parscale ka ndihmuar në drejtimin e një grupi pro-Trump të quajtur “America First Action”.

Ndërsa presidenti Trump ka ofruar pikëpamjet e tij për çështje të mëdha e të vogla në twitter, zoti Parscale ka përdorur Facebook-un duke synuar votuesit rural gjatë fushatës së suksesshme të zotit Trump në vitin 2016.

Dhëndri i zotit Trump, Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, tha se roli i Brad Parscale ishte “thelbësor për një qasje të disiplinuar në teknologji dhe në mbledhjen e të dhëna, në fushatën e 2016-ës“.

Brenda disa orësh nga inaugurimi i tij, 13 muaj më parë, zoti Trump tha se do të kandidojë për një mandat të dytë katërvjeçar.

Udhëheqësi amerikan ka mbajtur një zyrë për fushatë në kullën Trump që ndodhet në Nju Jork. Ai po mbledh miliona dollarë në një përpjekje të përbashkët për fushatën e tij të rizgjedhjes dhe për Komitetin Kombëtar Republikan.

Demokratë të shumtë kanë shqyrtuar mundësinë e një konkurimi kundër Donald Trump-it, por shumica pritet t’i njoftojnë qëllimet e tyre pas zgjedhjeve të Kongresit që mbahen në muajin nëntor.

Zgjedhjet do të zhvillohen për një të tretën e vendeve të Senatit dhe gjithë Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh, një votë që do të tregojë shumë lidhur me qasjen e elektoratit, dy vjet përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të nëntorit 2020.

Burimet: Kushner humbet të drejtën të njihet me informacionet tepër sekrete

Dhëndrri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, humbet të drejtën të njihet me informacionet më të vlefshme të agjencive të zbulimit, që i jepen përditë presidentit, gjatë të ashtuquajturit “Informimi Ditor i Presidentit”. Ndryshimi pason masat e reja që po merr Shtëpia e Bardhë për të vendosur disiplinë më të madhe mbi ata që kanë qasje ndaj këtij informacioni, sipas dy zyrtarëve amerikanë, që janë në dijeni të çështjes.

Kushner, i cili për më se një vit, nuk ka arritur të pajiset me çertifikatë të plotë sigurie, ka disa javë që e ka humbur të drejtën të jetë i pranishëm në seancat me informacione tepër sekret, sipas burimeve.

Një zyrtar i tretë, i cili po ashtu foli në kushte anonimiteti, tha se Zv/prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, kohët e fundit i ka dhënë informacone të reja këshilltarit ligjor të Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn që çuan në ngadalësim, ose ndërprerje të shqyrtimit të kërkesës së zotit Kushner për çertifikatë sigurie.

Hollësitë, se për çfarë infrmacioni bëhet fjalë, nuk dihen.

Po ashtu nuk është ende e qartë nëse pjesëmarrja e zoit Kushner në Informimin Ditor të Presidentit, e cila kërkon jo vetëm çertifikatën më të lartë të sigurisë, por edhe të drejtën për të parë informacionet sekrete që ruhen edhe më fortë, mund të lejohet përsëri në të ardhmen.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, i pyetur për reaguar lidhur me zotin Kushner, nuk ka kthyer ende përgjigje.

Avokati i zotit Kushner, Abbe Lowell, tha përmes një deklarate se “zoti Kushner ka bërë gjithshka varet prej tij në këtë proces”.

“Sipas asaj që di unë, ka disa persona në nivelin e zotit Kushner të cilëve u është vonuar çertifikata e sigurisë. Nuk është e pazakontë për një administratë të re, që procesi të zgjasë kaq shumë, vonesat janë duke u shqyrtuar dhe nuk ka patur ndonjë shqetësim për kërkesën e zotit Kushner”, sipas avokatit Lowell.

Dosja, që përmban Informimin Ditor të Presidentit, i shpërndahet vetëm një grupi të vogël zyrtarësh shumë të lartë. Ajo përmban analiza tepër sekret të informacioneve të zbuimit, informacione rreth operacioneve të fshehta të CIA-s dhe raportimet që bëjnë disa nga burimet më të fshehta të qevrisë ameriane, ose informacione që janë përcjellë nga shërbimet e zbulimit të vendeve aleate.

Problemet me çertifikatat e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, dolën kërë muaj, kur u zbulua se Rob Porter, kishte punuar për një vit për presidentin, me çertifikatë të përkohshme, megjithëse ndaj tij kishte dy ankesa nga ish bashkëshortet për dhunë në familje. Porter i mohon akuzat.

Përkujtohet 25 vjetori i sulmit terrorist në Nju Jork

Në vitin 1993, terroristët shpërthyen më shumë se 500 kilogramë eksplozivë nën Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke vrarë gjashtë vetë dhe duke plagosur më shumë se një mijë të tjerë. Në përkujtim të 25 vjetorit të sulmit, familjet e viktimave u mblodhën për të nderuar të dashurit e tyre që humbën jetën atë ditë të shkurtit, e cila do të ndryshonte përgjithmonë jetën e tyre dhe botën rreth tyre.

Një grumbullim intim…për të kujtuar gjashtë viktimat e sulmit të parë në Qendrën Botërore të Tregtisë në vitin 1993, tetë vjet para se terroristët të sulmonin më 11 shtator 2001. Katër të vrarë ishin punonjës të Autoritetit Portual, njëra prej tyre ishte shtatzënë.

Drejtori i portit Nju Jork- Nju Xhersi Kevin Otoole tha:

“Ne nuk ishim gati për atë atë ditë. Amerika nuk ishte gati për atë ditë. Dhe për këtë unë them, ‘Më vjen keq!’ ‘Na vjen keq!’”

Andrew Colobella humbi kushëririn në sulmin e vitit 1993 në qëndrën botërore të tregtisë.

“Sulmi i vitit ’93 ishte fuçi baruti. Ishte fillimi i goditjeve ndaj Amerikës”.

Njëzet e pesë vjet më parë, terroristët kishin shpresuar të rrëzonin dy kullat binjake duke shpërthyer eksplozivin brenda një furgoni në një parkimi nën tokë në Qendrën Botërore të Tregtisë. Kjo nuk ndodhi. Por për familjet e viktimave, ajo që ndodhi, është një kujtesë për vlerën e jetës.

Andrew Colabella thotë:
“Çdo ditë takohesh me individë pa e ditur se ky mund të jetë takimi i fundit me ta. Kështu ndodhi me ata që humbën jetën më 26 shkurt të vitit 1993, dhe nuk u kthyen më. Dhe ne jemi këtu. Ne jemi ata që mbetën.”

Përkujtimi është gjithashtu një festë e jetës – një ditë tjetër për të treguar historitë dhe trashëgiminë e gjashtë individëve, së bashku me ata që rrezikuan jetën e tyre atë ditë. Burri i Lisa Knapp humbi babain e tij në sulmin e vitit 1993. Ajo thotë se është e rëndësishme që t’u mësojë fëmijëve të saj për gjyshin e tyre.

“... t’u mësojmë se sa shumë e donim dhe se nuk është e lehtë, por është ajo që duhet të bëjmë”, thotë Lisa.

Drejtorja e Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë dëshmon në Kongres

Drejtorja e Komunikimit e Shtëpisë së Bardhë Hope Hicks, një nga ndihmëset më afatgjata të presidentit Trump, po dëshmon përpara një komisioni të kongresit që po heton rreth lidhjeve të mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Dëshmia me dyer të mbyllura, po zhvillohet në Komisionin e zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Para se të bashkohej me ekipin elektoral të zotit Trump, Hope Hicks, ishte zëdhënëse për marrëdhëniet me publikun për vajzën e zotit Trump, Ivanka Trump, në biznesin e saj të veshjeve.

Javët e fundit komisioni thirri për dëshmi ish këshilltarin e lartë të presidentit, Steve Bannon.

Shtëpia e Bardhë nuk e përdori atë që njihet si “privilegj ekzekutiv” për dëshminë e tij, por punoi për të kufizuar gamën e pyetjeve të cilave ai do t’u përgjigjej, duke përgatitur një listë të tyre.

Nuk është bërë ende publike se me çfarë pyetjesh do të përballet 29-vjeçarja Hicks. Paraqitja e saj në janar përpara të njëjtit komision u përfshi nga mosmarrëveshje lidhur me pyetjet të cilave do t’u përgjigjej.

Një pikë e hetimit të sotëm ka të ngjarë të përqëndrohet në rolin e saj në hartimin e një deklarate kontradiktore, lidhur me një takim të qershorit 2016, të zhvilluar në kullën Trump në Nju Jork mes djalit të madh të zotit Trump, Donald Trump Jr., dhëndrit të presidentit, Jared Kushner, si dhe menaxherit të fushatës Paul Manafort, me një avokate ruse.

Ligjvënësi republikan Michael Conaway, që drejton komisionin tha dje se “nuk do të habitej” nëse zonja Hicks do të refuzonte t’u përgjigjej pyetjeve të caktuara për arsyen se zoti Trump ka kërkuar të zbatohet “privilegji ekzekutiv” për të mbajtur sekrete biseda që ai kishte zhvilluar me të.

SHBA pritet të kapërcejë Rusinë si prodhuesja më e madhe e naftës

Shtetet e Bashkuara do të kapërcejnë Rusinë, duke u bërë prodhuesi më i madh i naftës në botë më së largu në vitin 2019, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energji.

Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Fatih Birol, tha në një ngjarje në Tokio se SHBA do të jetë prodhuesi numër 1 i naftës së papërpunuar “definitivisht vitin e ardhshëm”, nëse jo këtë vit.

Prodhimi i naftës së papërpunuar në SHBA është rritur mbi 10 milionë fuçi në ditë në fund të vitit të kaluar, për herë të parë qysh në vitet 1970.

Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë tha në fillim të këtij muaji se prodhimi në SHBA do të tejkalojë 11 milionë fuçi nafte në ditë deri në fund të këtij viti.

Amerikanët, në një debat të nxehtë për armët

Pas ngjarjes tragjike në shkollën e mesme “Marjory Stoneman Douglas” në Parkland të Florida më 14 shkurt, amerikanët janë të përfshirë sërish në një debat të nxehtë për armët.

Në njërën anë janë ata që dëshirojnë të shohin rregulla më të rrepta për mbajtjen e armëve dhe nga ana tjetër, ata që citojnë amendamentin e dytë të Kushtetutës që thotë se nuk duhet dhunuar e drejta e njerëzve për të mbajtur armë.

Sigurisht, ka shumë amerikanë që e gjejnë veten diku në mes ose të pavendosur rreth asaj se si duhet trajtuar çështja e armëve.

Sipas kompanisë Google të specializuar për kërkime në internet, javën e kaluar në të gjithë Shtetet e Bashkuara, kërkimi në internet me fjalët kyçe “kontrolli i armëve” është kërkuar më shumë se sa “e drejta për armë”.

Gjatë vitit të kaluar, sipas Google, përdoruesit e internetit në shumë shtete kanë kërkuar me fjalët kyçe “dyqan armësh” më shumë se sa “kontroll armësh”, por që nga ngjarja në Florida ka pasur shumë kërkime për “kontroll i armë për “dyqan armësh”.Ndërsa interesi ndaj armëve dhe kontrolli ndaj armëve është i lartë për momentin, nëse do t’i referohemi së shkuarës, interesi mund të fillojë të zbehet deri tek ngjarja e ardhshme e dhunshme.

Gjykata Supreme refuzon Trumpin për ‘dreamers’

Hidhet poshtë kërkesa për t’i dhënë fund programit mbrojtës të Obamës

VOAL – Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara refuzon kërkesën e administratës Trump për t’i dhënë fund programit mbrojtës ndaj ‘dreamers’, të rinjve emigrantë të parregullt që kanë hyrë në Amerikë kur ishin minorenë. Programit ishte hartuar nga Barack Obama. ANSA

Do të dalë libri me kujtime i Michelle Obamas ‘Becoming’

VOAL – Të martën, më 13 nëntor 2018, do të dalë në gjithë botën, në 24 gjuhë libri me kujtime i Michelle Obamas, ish First Lady. Titulli anglisht është ‘Becoming’ (Duke u bërë).

“Shkruarja e Becoming ishte për mua një përvojë thellësish personale. Më ka dhënë, për herë të parë – ka deklaruar Michelle Obama – , hapësirën për të reflektuar ndershmërisht mbi trajektoren krejtësisht të papritur të jetës sime. Në libër flas për rrënjët e mia dhe sesi një vajzë e re nga South Side e Çikagos e ka gjetur zërin e saj dhe e ka përdorur për t’iu dhënë forcë të tjerëve. Shpresoj se udhëtimi im do t’i nxisë lexuesit e mi për të gjetur guximin dhe për të shndërruar në realitet dëshirat. Mezi pres që historinë time ta ndaj me lexuesit.”

Me çiltërsi të skajshme dhe me nerv, autorja përshkruan triumfet dhe zhgënjimet, qoftë publike apo private, duke treguar në tërësi historinë siç e ka jetuar, përmes fjalëve të saj dhe pikëpamjeve të saj. I freskët, i thellë dhe plot zbulime, Becoming do të jetë një portret intim i një gruaje që në mënyrë konstante i ka sfiduar rrethanat, dhe historia e së cilës do t’i frymëzojë edhe të tjerët.

Botimi anglisht i Becoming bëhet në SHBA e Kanada nga Crown Publishing Group/Penguin Random House, në Britani e territoret e Commonwealthit ng Viking/Penguin Random House UK.

SHBA: Bisedimet me Korenë Veriore duhet të çojnë në çarmatimin bërthamor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Shtetet e Bashkuara thanë se çdo dialog me Korenë e Veriut duhet të ketë çarmatimin bërthamor si qëllim të fundit.

Të dielën, në ditën e fundit të Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang të Koresë së Jugut, delegacioni verikorean ka thënë se është i gatshëm për bisedime me SHBA-në.

“Do të shohim nëse mesazhi i Phenjanit paraqet hapat e parë në rrugën drejt denuklearizimit”, tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.

“Në ndërkohë, SHBA-ja dhe bota duhet të vazhdojnë ta bëjnë të qartë se programi i Koresë së Veriut me raketa bërthamore është një fund i vdekur”, shtoi Shtëpia e Bardhë.

Ky zhvillim vjen pas më shumë se një viti tensione të ashpra për programin raketor të Koresë së Veriut. Kjo e fundit, vitin e kaluar, ka kryer po ashtu provën e gjashtë bërthamore në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Agjencia amerikane e emigracionit nuk e quan më Amerikën “vend emigrantësh”

Agjencia amerikane që merret me kërkesat për lejen e qëndrimit dhe shtetësinë amerikane që këtë javë nuk u referohet më Shteteve të Bashkuara si “vend emigrantësh” në deklaratën e misionit të saj, një ndryshim që shkaktoi reagim në Uashington.

Deklarata e rishikuar për të cilën u njoftua fillimisht të enjten, u përmend në një letër nga Drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë amerikane për punonjësit e agjencisë si një ndryshim që duhet të “na udhëzojë në vitet në vazhdim”.

Deri të mërkurën, fillimi i deklaratës së misionit të Shërbimeve të Emigracionit ishte:

“Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit Amerikan, garanton premtimin e Amerikës si një vend emigrantësh, duke u dhënë informacion të saktë dhe të dobishëm për klientët tanë, duke miratuar shërbime emigracioni dhe shtetësie, duke inkurajuar ndërgjegjësimin dhe të kuptuarin e shtetësisë dhe duke siguruar integritetin e sistemit të emigracionit”.

Në deklaratën e rishikuar thuhet:

“Shërbimet e Shtetësisë dhe Emigracionit Amerikan administron sistemin e ligjshëm të emigracionit të vendit, duke ruajtur integritetin premtimin e tij, duke i shqyrtuar kërkesat për shërbime emigracioni në mënyrë efektive dhe të drejtë, duke mbrojtur njëkohësisht amerikanët, atdheun dhe duke nderuar vlerat tona”.

Agjencia thotë se formulimi i ri ishte bërë nga drejtori L. Francis Cissna, i cili tha se ky lloj formulimi përcakton qartë rolin e agjencisë dhe e bën të qartë se kujt i shërben.

Presidenti Donald Trump erdhi në detyrë me një platformë ndryshimesh intensive në sistemin amerikan të emigracionit. Vitin e fundit, administrata e tij ka marrë disa vendime që kanë sjellë ndryshime tek grupet që lejohet të hyjnë në vend.

Senatori Dick Durbin, demokrati i dytë më me peshë në Senat, reagoi me një mesazh në Twitter.

“Administrata e Presidentit Trump mund të ndryshojë deklaratën e një misioni por nuk mund të ndryshojë historinë tonë dhe ne nuk do t’i lejojmë të ndryshojnë të ardhmen tonë: ne jemi dhe do të jemi gjithmonë një vend emigrantësh”.

Ish-ambasadori amerikan në Serbi zbulon katër skenarët e mundshëm për Kosovën

Kompromisi për Kosovën është i mundur vetëm përmes një marrëveshje të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë ish-ambasadori i SHBA-ve në Serbi, William Montgomery por thekson se ai nuk është optimist për këtë çështje.

“Mendimi im personal është se, në qoftë se do të ketë një zgjidhje kompromisi, atëherë ajo do të jetë një rezultat i drejtpërdrejtë i një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Montgomery për mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Në këtë drejtim, ai sheh katër skenarë të mundshëm për Kosovën.

E para, thotë ai, është një vazhdim i situatës aktuale, e cila në fund të fundit do të përdoret si një arsye për bllokimin e pranimit të Serbisë në BE.

E dyta, shton Montgomery, është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga pala serbe.

“Unë pres që BE do t’i kërkojë Serbisë të ndikojë në Rusinë për të ndaluar bllokimin e pranimit të Kosovës në OKB në këmbim të anëtarësimit të Serbisë në BE”.

Skenari i tretë i mundur, sipas diplomatit amerikan është se në fund të procesit, para Serbisë do të vendoset zgjidhja “merre ose lëre” – “e pranoni pavarësinë e Kosovës dhe do të hyni në BE, ose refuzoni një gjë të tillë dhe nuk do të jeni pjesë e saj”.

Dhe skenari i katërt i mundshëm, sipas tij, është që lidershipi serb dhe kosovar të arrijnë një marrëveshje dypalëshe, në të cilën do të ketë elemente që komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i pëlqente.

Si një shembull i elementeve të tilla, Montgomery thotë se është një formë e ndarjes së Kosovës dhe përfshirja e një pjese të vogël të territorit të Serbisë, e cila është e populluar kryesisht nga shqiptarë etnikë.

Ndërhyrja ruse në zgjedhjet amerikane

Henry Rdigewell – Shteti rus ka ndërtuar një makinë propagandistike të sofistikuar dhe përpjekjet e tij për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 përmes mediave sociale është vetëm një shembull i llojeve të reja të kërcënimeve me të cilat përballet bota e sotme. Një ekip analistësh të kibernetikës kanë shqyrtuar qindra mijëra mesazhe të rreme në Twitter dhe Facebook që mendohet se janë koordinuar nga Moska. Siç njofton Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, analiza e tyre vjen pas padive të ngritura kundër 13 shtetasve dhe tre kompanive ruse, të akuzuar se janë përpjekur të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane.

Kjo është ndërtesa e dikurshme e Agjencisë Kërkimore të Internetit në Shën Petersburg, e njohur gjerësisht si “fabrika e mesazheve të rreme”, ku ekipe të tëra rusësh përdornin postime të rreme në mediat sociale dhe reklama false për të ndikuar në zgjedhjet amerikane të 2016-s, sipas hetuesve. Zyrat janë të zbrazëta dhe shumë prej llogarive të rreme janë mbyllur.

Por postimet e tyre janë arkivuar nga Laboratori i Kërkimeve Dixhitale pranë Këshillit të Atlantikut.

Duke paraqitur gjetjet e tyre në Konferencën e Mynihut këtë muaj, ekipi demonstroi se si i koordinon Kremlini pjesët e ndryshme të makinës së tij propagandistike.

“Një pjesë e llogarive janë propaganda e hapur, si RT (Rusia Sot) dhe Sputnik. Ka pastaj llogari diplomatike si ambasada ruse në Afrikën e Jugut ose Konsullata e Përgjithshme ruse në Gjenevë. Janë gjithashtu faqet e internetit që hiqen si të pavarura, por që është provuar se financohen nga i njëjti burim, nga qeveria ruse. Veç këtyre janë ata që postojnë mesazhe të rreme si dhe robotët, llogaritë e automatizuara, të cilët amplifikojnë gjithçka që postojnë të tjerët para tyre,” thotë kreu i ekipit hulumtues, Ben Nimmo.

Në vitin 2016, hakerët rusë vodhën emailet e Komitetit Demokratik Kombëtar, që më pas u publikuan nga WikiLeaks.

“Ditën kur u bë publikimi në WikiLeaks, mund të kontrolloni arkivat në internet dhe të shihni llogaritë e Fabrikës së Postimeve të Rreme, ku do të vini re se si ato amplifikojnë materialin e vjedhur, duke thënë: Me siguri që mediat e mëdha nuk do ta mbulojnë këtë ngjarje. Të gjithë duhet të shkojnë e të shohin emailat e Komitetit Demokratik Kombëtar. Llogaria në Twitter me emrin “Tennessee GOP”, i bëri mbi 2,000 herë retweet kësaj ngjarjeje. Edhe stacionet RT dhe Sputnik raportuan për këtë ‘histori tronditëse’ siç e quajtën ato. Pra, mund të shihet qartë se si ishin bashkërenduar pjesët e ndryshme të makinerisë,” thotë Ben Nimmo.

Për t’iu kundërvënë propagandës, Ben Nimmo dhe ekipi i tij thonë se njerëzit duhet të mësojnë se si të kontrollojnë profilet dhe aktivitetin e atyre që dërgojnë mesazhe në mediat sociale.

“Para se të ndani me të tjerët një llogari ose para se t’i bëni “like” asaj, ndoshta duhet të kontrolloni profilin e të mendoni: Nëse është llogari në Twitter, sa herë poston mesatarisht në ditë? Nëse është krijuar tri javë më parë dhe ka postuar 150 mijë herë, vërtet mendoni se mund të jetë një qënie njerëzore normale?” pyet Ben Nimmo.

Rusia ka mohuar se është përpjekur të ndikojë në politikën amerikane. Por ekspertët thonë se ky është vetëm hapi i parë në një fushë krejtësisht të re spiunazhi, prandaj shërbimet e sigurisë dhe shoqëria në përgjithësi do të duhet të mësojnë se si t’i kundërvihen këtij kërcënimi.

Richard Gates pritet të pranojë fajësinë

Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit Trump dhe ndihmës i afërt i kryetarit të ekipit elektoral Paul Manafort, pritet të pranojë fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Burime të afërta me zotin Gates thonë se ai mund t’i pranojë akuzat që sot. Kjo shihet si një sinjal se ai mund të ketë rënë dakort të bashkëpunojë me prokurorin e posaçëm Mueller në kuadër të hetimeve. Një ditë më parë juria në Virxhinia ngriti 32 akuza për shmangie taksash dhe mashtrime bankare, për Richard Gates dhe Paul Manafort.

Akuzat e reja iu shtohen atyre të mëparshme për pastrim parash dhe mosregjistrim si agjentë të huaj, në lidhje me punën e tyre për politikanë pro-rusë në Ukrainë.

Zoti Manafort akuzohet se me ndihmën e zotit Gates, pastroi mbi 30 milionë dollarë përmes llogarive të fshehta në parajsa fiskale dhe “e përdori pasurinë e tij jashtë vendit për mbështetur financiarisht një jetesë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksa për këto të ardhura”.

Nga Stalini te Mao, Shqipëria socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit

Ardita Dunellari – Rrethanat, ngjarjet dhe aktorët që i dhanë formë historisë pas Perdes së Hekurt mbeten një burim interesi për historianët dhe akadamikët megjithëse kanë kaluar dekada që nga hapja e sferës ish-komuniste. Studiuesi Elidor Mëhilli jep kontributin e tij duke shtjelluar përvojën e Shqipërisë gjatë diktaturës, por edhe dinamikat e ndërlikuara që krijoi regjimi i asaj kohe me botën komuniste. Libri i tij i ri Nga Stalini tek Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste, u prezantua këtë javë në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington.

Mes akademikësh, studiuesish e diplomatësh të mbledhur tek Qendra Wilson, shfaqet një interesim i qartë mbi specifikat e komunizmit në Shqipëri dhe dinamikat që ndikuan tek aleancat ndërkombëtare të Shqipërisë.

Për autorin ky ishte një projekt që nuk duhej thjesht të reflektonte ngjarjet historike, por t’i analizonte ato në një dritë të re, që ai thotë se i mungon historiografisë shqiptare:

“Në këtë kuptim, mendoj që qëllimet e mia kanë qenë dy: ta ndërkombëtarizoj studimin e historisë shqiptare, që t’u ikim atyre analizave që mbeten pak periferike dhe qëllimi tjetër ka qenë që të japë edhe një model të shkrimit të një historie që nuk merret vetëm me partinë, udhëheqësit e partisë, ideologjinë në nivelin më të lartë, por edhe me jetën e përditshme të njerëzve nën atë sistem,” thotë Dr. Elidor Mëhilli, Asistent Profesor në Hunter College, CUNY.

“Një objektiv i imi kryesor në këtë studim ka qenë ta depersonalizoja historinë e komunizmit shqiptar. Në kuptim që të mos ishte thjesht histori e Enverit, histori e udhëheqësit të ndritur. Këtu kemi ngecur tek studimet shqiptare në marrëdhënien tonë me të shkuarën, vazhdojmë akoma ta personlizojmë atë histori, ndërkohë që ka më shumë nevojë që të merremi me mitet, por ta zgjerojmë qasjen ndaj diktaturës për të përfshirë edhe dimensione të tjera të historisë”.

Por nuk mungon edhe analiza e kultit të individit, një vështrim nga afër i figurës së diktatorit, lëvizjet e tij brenda partisë por edhe në relatat me aleatët ndërkombëtarë për të garantuar mbijetesën:

“Kjo shihet shumë mirë madje me prishjen me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960. Një moment shumë i rrezikshëm për të ardhmen e tij në krye të partisë dhe të ardhmen e tij në krye të vendit dhe mënyra se si ai arrin ta shfrytëzojë këtë moment pasqyron pikërisht këtë aftësi për të mbijetuar që ai e kishte shumë të fortë”.

Libri nuk ofron thjesht faktet e një historie mbi 40 vjeçare nën regjimin komunist. Autori i analizon në kontrast marrëdhëniet dhe interesat e shkëmbimeve të Shqipërisë me aleatët e saj të fuqishëm. Ja si e përshkruan autori dallimin e lidhjeve Tiranë-Moskë dhe më pas Tiranë-Pekin:

“Ndodhi një lloj pjekjeje e regjimit sidomos duke krahasuar vitet ’50 me vitet ‘60. Ndërsa marrëdhënia me sovjetikët kishte edhe një inferioritet brenda, sovjetikët ishin modeli që duhej zbatuar. Ishin më të përparuar, ishin në një rol komandues në botën komuniste. Po ta krahasojmë me marrëdhënien e shqiptarëve me Kinën është një dinamikë tjetër. Edhe Mao e shpjegon këtë: shpesh herë Shqipëria ishte në një rol dominant, se nuk kishte rënë pre e revizionizmit, nuk kishte rënë pre e atyre ndryshimeve në Bashkimin Sovjetik që pastaj u quajtën ndryshime vetëshkatërruese të sistemit. Dhe në këtë aspekt ishte një dinamikë tjetër”.

Edukimi politik, indoktrinimi, propaganda dhe atmosfera e terrorit janë pika të përbashkëta të të gjitha regjimeve diktatoriale, që i gjejmë edhe në përshkrimin e Shqipërisë socialiste në librin e Dr. Mëhillit. Diktatura krijoi një kulturë politike që ka lënë gjurmë të dukshme edhe në Shqipërinë e ditëve tona, thotë studiuesi:

“Në diktaturë çdo dështim shikohej si një fitore e të ardhmes, si një fitore që nuk ka ardhur akoma. Çdo dështim i faturohej armiqve të brendshme apo të jashtëm. Kjo mënyrë e konceptualizmit të politikës si një luftë e përhershme, si betejë totale, për fat të keq edhe sot politika shqiptare përvijohet e tillë, si një betejë totale, armiq të betuar, konspiracione kudo. Kjo, për mendimin tim kërkon angazhim, kërkon kritikë, një qasje tjetër pasi kemi një nevojë urgjente”.

Megjithëse një perspektivë historike, autori thotë se shumë tema qendrore të librit mbeten aktuale dhe të hapura për diskutim:

“Sot që flasim jemi në 27 vjetorin e shembjes simbolike të regjimit në shkurt të 1991. Po ta kapim në dimensionin e 27 vjetëve është një periudhë goxha e gjatë. Është periudha e një gjenerate”.

“Por duhet thënë edhe kjo që ka nevojë për një reflektim sot: jo vetëm për ta shkruar atë histori, për t’ia mësuar një gjenerate të re që nuk e ka atë eksperiencë, por edhe për të reflektuar për marrëdhënien tonë me pushtetin, me autokracinë si sistem, demokratizimin që ende është shumë problematik. Për mendimin tim ka shumë nevojë edhe për një reflektim më të thellë për faktin që vizioni evropian i shqiptarëve që trumpetohet shumë, ka dështuar këto 26 vjet. Pra vendi është ende shumë mbrapa edhe po ta krahasosh edhe me rajonin në implementimin e këtij vizioni evropian të shqiptarëve”.

Hija e së kaluarës komuniste të Shqipërisë ende bie sot mbi qytetarin në marrëdhëniet e acaruara dhe problematike me pushtetin, thotë studiuesi. Por ai shpreh entuziazëm nga një brez i ri historianësh që Dr. Elidor Mëhilli beson se do të ndihmojnë në zhvillimin e një debati të hapur, dhe një qasje më pluraliste mbi të shkuarën.

“Është një qasje që duhet bërë, duhet inkurajuar, duhet të jemi të hapur edhe ndaj aspekteve më të dhimbshme të diktaturës”.

Studiuesi Elidor Mëhilli po punon tani për ta sjellë librin në shqip, por premton të vazhdojë të kontribuojë në debatin e hapur mbi të shkuarën e Shqipërisë. Në planet e tij për të ardhmen janë kërkimet mbi periudhën e ndërrimit të sistemeve, nga fundi i viteve 1980-fillimi i viteve 1990.

Vendimi i Trumpit, SHBA do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem

Ambasada e re e SHBA në Jerusalem do të hapet në maj të këtij viti, vendim që përkon me 70 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Izraelit.

Lajmi në fjalë u bë i ditur këtë të premte nga zyrtarë të administratës presidentit Donald Trump.

‘Times of Israel’ shkruan se zyrtarët thanë se Kongresi ishte duke u njoftuar për masat, ndërkohë që Sekretari i Shtetit Rex Tillerson nënshkroi të enjten planin e sigurisë për ambasadën e re.

Inaugurimi i Konsullatës së re ishte planifikuar për në mes të majit. Sakaq, zëvendëspresidenti Mike Pence kishte deklaruar më herët se ambasada nuk do të hapej deri në fund të vitit 2019, duke shtuar se kërkoheshin disa vite. Por pas disa lëvizjeve të shpejta u bë e mundur që ambasada të hapej në këtë muaj simbolik për Izraelin.

Ngrihen akuza të reja kundër dy ish-ndihmësve të Trumpit

Paul Manafort (djathtas) dhe Rick Gates.

Robert Mueller, këshilltar i posaçëm amerikan, i cili po heton ndërhyrjen e Rusisë në politikën e Shteteve të Bashkuara, ka ngritur padi të reja penale kundër dy ish-ndihmësve të fushatës së presidentit Donald Trump.

Paul Manafort, i cili është shkarkuar si menaxher i fushatës së Trumpit në gusht të vitit 2016, dhe zëvendësi i tij, Rick Gates, janë akuzuar vitin e kaluar për komplot, mashtrim dhe vepra të tjera, që kryesisht rrjedhin nga puna lobuese e Manafortit për një parti politike pro-ruse në Ukrainë.

Edhe Manafort, edhe Gates kanë mohuar fajësinë.

Akuzat e reja përfshijnë evazionin fiskal dhe mashtrimin financiar.

Manafort dhe Gates janë në mesin e disa njerëzve të akuzuar nga ekipi i Muellerit, i cili po heton ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, në vitin 2016.

Trumpi propozon “armatosjen e mësuesve”

Trumpi ka thënë se sikur në shkollë të kishte disa punonjës të pajisur me leje për mbajtjen e armës mund të bëheshin përpjekje për të ndalur sulmuesin

UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump pas sulmit të armatosur ku u vranë 17 nxënës në një shkollë të mesme në Parkland të Floridas tha se armatosja e mësuesve mund të ishte më efektive kundër sulmeve të tilla.

Trump këtë deklaratë e dha pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me familjarët dhe nxënësit që shpëtuan nga sulmi në shkollën e mesme në Florida.

“Sikur të kishit patur një mësues që do të kishte njohuri rreth përdorimit të armës mund ta ndalonte më ndryshe sulmin”, tha Trump i cili ka folur pasi ka dëgjuar përjetimet e disa nxënësve dhe bisedat e familjarëve.

Pasi rikujtoi se në shkollë disa nga mësuesit kanë qenë në situatën që të ikin për të shpëtuar, Trump ka thënë se sikur në shkollë të kishte disa punonjës të pajisur me leje për mbajtjen e armës mund të bëheshin përpjekje për të ndalur sulmuesin.

Ai tha se policia ka mbërritur 8 minuta pasi ka filluar sulmi në shkollë. Trump ka shtuar se do të vlerësojnë çështjen që nëpër shkolla t’u jepet autorizmim për mbajtje të armës 20 për qind të punonjësve.

Për zbatueshmërinë të cilën e ka cilësuar “bartje e fshehur”, presidenti Trump tha se kjo do të jetë e vlefshme për persona që kanë shumë njohuri mbi armët.

“Mësuesit do të bartin armë në mënyrë të fshehtë. Do të marrin trajnime speciale dhe në këtë mënyrë për maniakët nuk do të mbetet më hapësirë për armë”, theksoi Trump.

Në qytetin Broward të Floridas 19 vjeçari Nikolaus Cruz kreu një sulm të armatosur në shkollën e mesme Stoneman Douglas ku si pasojë vrau 17 nxënës.

Sipas mediave amerikane Cruz ishte anëtar i një grupi racistësh të bardhë me emrin “Republika e Floridas” dhe se ai kishte “urrejtje” për muslimanët dhe afroamerikanët.

Gjithashtu është zbuluar se Cruz në publikimet në median sociale ka shprehur dëshirën “për t’u bërë një sulmues profesional ndaj një shkolle” me ç’rast ka publikuar dy herë mesazhe se “do të kryente sulm”. aa

Avokati në Uashington pranon se ka gënjyer FBI-në

Avokati Alex van der Zwaan teksa ka arritur në gjykatën në Uashington

Avokati Alex der Zwaan ka pranuar fajësinë për deklarata të rrejshme dhënë agjentëve federalë të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, lidhur me hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller, që po heton ndonjë bashkëpunim të mundshëm në mes të zyrtarëve rusë dhe ndihmësve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Alex van der Zwaan, vjehrri i të cilit është miliarderi German Khan, ka bërë deklaratën për fajësi më 20 shkurt, në një gjykatë në Uashington.

Ai është personi i gjashtë që pranon fajësinë apo është paditur nga ekipi i Muellerit.

Ai është akuzuar se ka gënjyer hetuesit lidhur me komunikimet që ka pasur me ish-ndihmësin e fushatës së Trumpit, Rick Gates.

Edhe Gates është paditur vitin e kaluar për komplot dhe pastrim parash.

Një dokument i gjykatës më 16 shkurt, ka njoftuar se van der Zwaan, ka asgjësuar disa emaile, që i ka kërkuar ekipi i Muellerit.

Në kërkimet e Muellerit, ka shqetësime për punën e van der Zwaan në vitin 2012, në një kompani ligjore amerikane e cila ishte angazhuar nga ministria e Drejtësisë në Ukrainë, lidhur me gjykimin e ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko.

Akuzat nuk përmendin fushatën presidenciale të Trumpit, në të cilën kanë punuar edhe Gates edhe shefi i tij, Paul Manafort.

Mirëpo pranimi i fajësisë nga ana e van der Zwaan, mund të rrisë presionin për Gates dhe Manafort që të bashkëpunojnë me ekipin e Muellerit.

Ende nuk është identifikuar kompania ligjore për të cilën ka punuar avokati, van der Zwaan.

Trumpi: Rusia, e suksesshme në prishjen e peizazhit politik në SHBA

Presidenti Trump tha se Rusia ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në prishjen e peizazhit politik të Shteteve të Bashkuara me ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016 për shkak të hetimeve të mëvonshme disa muajore që pasuan.

“Në qoftë se qëllimi i Rusisë ishte të krijonte mosmarrëveshje, përçarje dhe kaos në Shtetet e Bashkuara,” tha zoti Trump në një koment në Twitter, “atëherë, me të gjitha seancat dëgjimore, hetimet dhe urrejten e partisë republikane, ata kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre. Ata po qeshin me arritjet e tyre në Moskë. Zgjohu Amerikë!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/965212168449941505

Në një seri postimesh, presidenti vazhdoi sulmet mbi hetimin për lidhjet e mundshme të fushatës së tij me Rusinë. Zoti Trump kritikoi gjithashtu këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare H.R. McMaster, i cili tha dje se kishte prova “të pakundërshtueshme” të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, një ditë pasi prokurori i posaçëm Robert Mueller akuzoi 13 shtetas rusë dhe tre entitete ruse për kryerjen e një ” beteje informacionesh “për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitojë.

“Unë kurrë nuk thashë se Rusia nuk ndërhyri në zgjedhje, thashë se mund të jetë Rusia, Kina apo një vend tjetër apo grup vendesh, apo një gjeni prej 200 kilesh ulur në shtrat dhe që luan me kompjuterin e tij,” shkroi zoti Trump në Twitter. “Renga” e Rusisë ishte se fushata e Trumpit bashkëpunoi me Rusinë – ajo kurrë nuk ndodhi! ”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/965202556204003328

Zoti Trump tha se gjenerali McMaster “harroi të thotë se rezultatet e zgjedhjeve të 2016-ës nuk u ndikuan apo ndryshuan nga rusët dhe se bashkëpunimi i vetëm që ndodhi ishte mes Rusisë dhe kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.

Gjenerali Wesley Clark uron popullin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë!

Ish-shefi i forcave të NATO-s gjenerali Wesley Clark, ka uruar qytetarët e Kosovës, me rastin e dhjetë vjetorit të Pavarësisë.

Ai ka publikuar një imazh nga koha e luftës në llogarinë e tij në Facebook.

“Urime qytetarëve të Kosovës, të cilët po festojnë dhjetë vjetorin e pavarësisë”, ka shkruar ai sipër imazhit.

Akuza ndaj 13 shtetasve rusë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane

Një juri e madhe federale që heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 paditi 13 shtetas rusë, përfshirë 12 punonjës të një kompanie në Shën Petersburg, me bazë në Rusi, se kanë kryer operacione në internet me qëllimin për të ndikuar në process, në emër të Moskës.

Sipas akt-akuzës Agjencia e Kërkimeve në Internet, një organizatë propaganduese e lidhur me Kremlinin, u angazhua “në operacione për të ndërhyrë në zgjedhje dhe proceset politike” gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.

Sipas akt-akuzës, 12 punonjës të firmës akuzohen për “ndërhyrje që synojne Shtetet e Bashkuara” nga 2014 deri tani.

Qëllimi ishte “nxistja e mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara për të minuar besimin e publikut në demokraci”, tha të premten zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein. “Nuk duhet t’i lejojmë ata të kenë sukses”, tha ai.

Paditë i njoftoi zyra e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller.

Hetimet e hollësishme të zotit Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje çuan në ngirtjen e një padie ndaj ish-kryetarit të fushatës së zotit Trump Paul Manaforti si dhe bashkëpunëtorit Rick Gates.

Ish këshilltari për Sigurisë i zotit Trump Michael Flynn dhe ish këshilltari për politikën e jashtme gjatë fushatës, George Papadopoulos, kanë pranuar fajin se kanë gënjyer FBI-në lidhur me kontaktet e tyre me zyrtarët rusë gjatë fushatës dhe tranzicionit të pushtetit.

Shërbimet sekrete të SHBA: Amerikanë, ja pse të mos blini smartfonë kinezë!

VOAL – NJU JORK – Drejtuesit e FBI-së, CIA-s, NSA-së dhe kreu i shërbimeve sekrete amerikane kanë dhënë në Kongres alarmin për institucionet dhe qytetarët amerikanë: mos i blini smartfonët e prodhuar në Kinë nga grupet Huawei o ZTE, sepse paraqesin një kercënim për sigurinë kombëtare.
‘Rreziku kryesor – ka shpjeguar drejtori i FBI-së Chris Wray – është se i lejon shoqëritë pranë qeverisë së Pekinit për t’u infiltruar në rrjetet TLC amerikane, me mundësinë që të vjedhin dhe ndryshojnë informacionet dhe për të bërë spiunazh.’ ansa

17 të vdekur në një shkollë të mesme të Floridës

Autoritetet thonë se 17 persona kanë humbur jetën në një shkollë të mesme në Floridën jugore dhe se personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri është arrestuar.

Policia u vu në alarm pas të shtënave brenda shkollës Marjory Stoneman Douglas në Parkland, që ndodhet në një zonë të qetë nënurbane në veriperëndim të qytetit Fort Lauderdale, dhe nisi kërkimin për personin e armatosur, ndërkohë që dhjetra nxënës e mësues qënronin të ngujuar brenda klasave.

12 veta u vranë brenda shkollës ndërsa 3 të tjerë jashtë saj. Dy persona vdiqën në spitalet e zonës.

Të shtënat filluan menjëherë pas mbarimit të mësimit. Policia njoftoi se e kishte arrestuar personin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Nicolas Cruz.

Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes.

Policia dhe punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pamjet televizive tregonin nxënësit që dilnin nga klasat duke u larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes.

Presidenti Trump dërgoi përmes Twitterit ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. “Asnjë fëmijë, mësues apo çdokush tjetër nuk duhet të ndihet kurrë i pasigurtë në një shkollë amerikane,” shkruante ai.

Adriatik Llallës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara

Departamenti i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.

Vendimi, i bërë publik të mërkurën, thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.

Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Avokati personal i Presidentit Trump: kam paguar një aktore filmash pornografike

Avokati personal i Presidentit Donald Trump thotë se ka paguar 130 mijë dollarë nga paratë e tij për një aktore filmash pornografike, e cila ka deklaruar se ka patur marrëdhënie seksuale me zotin Trump rreth 12 vjet më parë.

Avokati Michael Cohen tha se e ka paguar aktoren Stephanie Clifford, e cila aktron me emrin e artit Stormy Daniels, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-s, si pjesë e një marrëveshjeje ku palët bien dakord të mos publikojnë informacion.

Në një transaksion privat në vitin 2016, përdora fondet e mia personale për të lehtësuar një pagesë prej 130 mijë dollarësh për znj. Stephanie Clifford“, tha zoti Cohen në një deklaratë.

Zoti Cohen tha gjithashtu se as organizata Trump, kompania përgjegjëse për të gjitha sipërmarrjet e biznesit të zotit Trump dhe as njerëzit e fushatës së zotit Trump nuk ishin përfshirë në këtë transaksion. Ai shtoi se nuk ishte kompensuar për këtë pagesë “as drejtpërdrejt as tërthorazi”.

Zoti Cohen, i cili tha se ka shërbyer si avokat i zotit Trump për më shumë se një dekadë, e bëri të qartë se është më i angazhuar se kurrë për të mbrojtur interesat e klientit të tij.

Vetëm për shkakun se diçka nuk është e vërtetë nuk do të thotë se nuk mund të të shkaktojë dëm. Unë gjithmonë do ta mbroj zotin Trump“, tha ai.

Por zoti Cohen nuk sqaroi nëse zoti Trump ishte në dijeni të pagesës apo pse ishte bërë kjo pagesë. Michael Cohen ka mohuar më parë që zoti Trump të ketë patur një marrëdhënie me zonjën Clifford.

Wall Street Journal njoftoi fillimisht në janar se zonja Clifford ishte paguar në tetorin e vitit 2016 në këmbim të mos publikimit të një informacioni lidhur me marrëdhënien e dyshuar me zotin Trump.

Pas publikimit të raportit, grupi mbikëqyrës i qeverisë “Common Cause”, e ankimoi çështjen pranë Komisionit Federal të Zgjedhjeve, duke kërkuar një hetim mbi burimin e pagesës. Ankesa pretendonte se pagesa ishte një donacion për fushatën e zotit Trump, që duhej të ishte përfshirë në raportet e tij zyrtare të detyruara të publikohen.

“Rreziku për luftë më i lartë se asnjëherë”, zyrtari amerikan me paralajmërim të frikshëm

Rreziku i konfliktit mes shteteve është më i lartë tani se në çdo kohë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, sipas Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane Daniel Coats.

“Kërcënimet më të drejtpërdrejta vitin e ardhshëm do vijnë nga Koreja e Veriut. Në të njëjtën kohë, kërcënimi i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga shtetet do vazhdojë të rritet” tha Shefi i Inteligjencës gjatë një seance të Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan të martën.

Deklarata e tij u shoqërua më një vlerësim të detajuar të kërcënimeve në botë ndaj komunitetit të inteligjencës.

Ai gjithashtu tha se Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut do jenë “kërcënimet më të mëdha kibernetike” për SHBA-në vitin e ardhshëm.

“Në vlerësojmë se këto vende do të përpiqen të përdorin operacionet kibernetike për të arritur objektivat strategjike, në rast se nuk përballen me pasoja të qarta për operacionet e tyre kibernetike”, tha zyrtari i lartë i komunitetit të inteligjencës amerikane.

Ai shtoi se katër vendet po testojnë sulme kibernetike gjithnjë e më agresive për t’i përdorur kundër SHBA-së.

Duke folur në mënyrë specifike për Rusinë, Daniel Coats tha se SHBA pret që ‘Rusia të kryejë operacione kibernetike gjithnjë e më shkatërruese vitin e ardhshëm, me shumë mundësi duke përdorur aftësi të reja kundër Ukrainës”, Sipas tij, Kina do të vazhdojë të përdorë spiunazhin kibernetik për të mbështetur prioritetet e sigurisë kombëtare të vendit.

Sakaq në lidhje me kërcënimet kibernetike nga Koreja e Veriut, drejtori i inteligjencës kombëtare amerikane tha se SHBA pret që Pheniani të përdorë operacionet kibernetike për të mbledhur para dhe informacione te inteligjencës, ose të lançojë sulme mbi Korenë e Jugut dhe SHBA.

Tensione pas komenteve të Kryeministrit të Izraelit

Michael Brown

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimin e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, se ai ka biseduar me Shtetet e Bashkuara për mundësinë e aneksimit të vendbanimeve hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor. Kontrolli mbi këtë territor është një ndër mosmarrëveshjet e shumta që kanë dëmtuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe palestinezëve për të arritur një marrëveshjeje paqeje izraelito-palestineze.

Komentet e zotit Netanyahu drejtuar ligjvënësve të partisë së tij të krahut të djathë, Likud, shkaktuan edhe reagime nga palestinezët.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare, ne e konsiderojmë të paligjshëm të gjithë pushtimin nëpërmjet vendbanimeve, të cilat duhet të hiqen nga të gjitha territoret e pushtuara palestineze. Duhet të ndalet pozicionimi i SHBA-së që tenton të jetë në një linjë me pushtimin dhe kundër kauzës së popullit palestinez, duke u shndërruar në partner të agresionit dhe krimeve ndaj popullit palestinez. Duhet të konfirmohet gjithashtu se të gjitha përpjekjet pushtuese të Izraelit për të përfituar nga situata aktuale nuk do të thyejnë vullnetin e popullit palestinez dhe se realiteti është ndryshe”, deklaroi Wasel Abu Youseff, anëtar i komitetit ekzekutiv Organizatës për Çlirimin e Palestinës.

Vendbanimet e debatueshme ndodhen në një territor të cilin palestinezët e kërkojnë të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez, por që është pushtuar nga Izraeli që nga periudha e Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967.

Kontrolli mbi këtë territor është një ndër mosmarrëveshjet e shumta që kanë dëmtuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe palestinezëve për të arritur një marrëveshje izraelito-palestineze për paqe.

Presidenti Donald Trump u citua të dielën nga një gazetë izraelite të ketë shprehur dyshime nëse vërtet palestinezët dhe izraelitët dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje për paqe.

Trumpi propozon privatizimin e operacioneve amerikane në hapësirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, propozoi shndërrimin e operacioneve amerikane në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në biznes privat.

Këto operacione aktualisht drejtohen nga Qeveria e SHBA-së dhe ajo e Rusisë.

Në buxhetin për vitin 2019 të Qeverisë amerikane, Trump propozoi që t’i jepet fund financimit të NASA-s për stacionin e hapësirës deri në vitin 2025.

Buxheti do të ndante vetëm 150 milionë dollarë për të inkurajuar zhvillimin privat të stacionit, ndërsa kursimet do të ruheshin për dërgimin e astronautëve edhe një herë në Hënë – çfarë është synim i Trumpit.

Por ligjvënës amerikanë dhe ekspertë të hapësirës shprehën shqetësim për planin.

Senatori Bill Nelson, i cili ka shkuar në hapësirë në vitin 1986, tha se “fikja e dritave dhe largimi nga hapësira nuk ka kuptim”.

Historiani i pensionuar i NASA-s, Roger Launius, tha se plani do t’i prekë të gjitha shtetet e përfshria në stacionin e hapësirës, përfshirë Rusinë dhe vendet në Evropë dhe Azi që kanë marrë pjesë në projektet e stacionit hapësinor.

Krime kibernetike në SHBA, arrestohet fieraku

Autoritetet policore në Shqipëri njoftuan sot në mbrëmje se kanë arrestuar 25 vjeçarin nga Fieri Aldo Ymeraj, i dyshuar si pjesë një rrjeti të krimit kibernetik që drejtonte një skemë të sofistikuar që lehtësonte blerjen dhe shitjen e numrave të Sigurimeve Shoqërore, ditëlindjet dhe fjalëkalimet që ishin vjedhur nga e gjithë bota. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat javën e shkuar ndërmorën një operacion për arrestimin e 36 personave ndaj të cilëve Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka ngritur akuza për krijimin e një skeme të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje identiteti që ka shkaktuar më shumë se 530 milionë dollarë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare. Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Serbi dhe Kosovë, ku përfunduan në pranga Besart Hoxha 25 vjeçar që vepronte me nofkën “Pizza” dhe Liridon Musliu 26 vjeçar, që vepronte me nofkat “Ccstore”, “Boël” dhe “Hulk”.

Në akuzë thuhet se grupi punonte nën moton ” In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë – një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God We trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina. Autoritetet amerikane thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes tyre ndërsa e njihnin njëri tjetrin me nofkat në internet.

Zarf me ‘pluhur të bardhë’ në rezidencën e Trump Junior, gruaja e tij përfundon në spital

Telashe për familjen e presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Mësohet se një zarf me ‘pluhur të bardhë’ kishte mbërritur në mënyrë ende misterioze në rezidencën e Trump Junior, të cilin e kishte hapur gruaja e Donald Trump Junior.

Fill pas këtij episodi bashkëshortja e Trump Junior, Vanessa Trump është transportuar me urgjencë në spital, shkruan RT. Raportohet se gjendja e saj është e mirë. Zarfi në fjalë i ishte dërguar djalit të Donald Trump në New York, ndërkohë që nuk dihet se çfarë ka pasur në përmbajtje të tij.

Po ashtu në spital u dërguan edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në ato momente në shtëpi, për t’u nënshtruar ekzaminimeve. Në mars të vitit 2016 Eric Trump mori një paketë që përmbante një substancë të dyshimtë të bardhë në adresën e tij në New York.

Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plot të ngjarjes si dhe identifikimin e dërguesit të zarfit.

Dy ndihmës të presidentit akuzohen nga ish-bashkëshortet

Një ndihmëse e Presidentit Donald Trump i doli në mbrojtje mënyrës se si Shtëpia e Bardhë i ka trajtuar akuzat ndaj ish sekretarit të shtypit për keqtrajtimin fizik të ish bashkëshorteve të tij.

Këshilltarja e Presidentit, Kellyanne Conway tha në një intervistë në CNN se “është shumë e qartë” se Rob Porter, i cili shërbente si një nga sekretarët e Presidentit dhe ndihmoi në hartimin e fjalimit të tij për gjendjen e vendit, “bëri atë që duhej të bënte” duke dhënë dorëheqjen, pasi dy ish-bashkëshortet e tij dhanë fakte se ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tyre gjatë martesës.

Por zonja Conway hodhi një numër njoftimesh në media se Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe juristi i Shtëpisë së Bardhë Donald McGahn kanë patur dijeni për akuzat muaj më parë, pas kontrolleve biografike të FBI-së dhe se nuk kishin marrë masa për shkarkimin e tij. Për shkak të këtyre akuzave, zoti Porter nuk do të kishte mundur të merrte lejen e nivelit të lartë të sigurisë, e nevojshme për postin e rëndësishëm që mbante.

Conway tha se ajo nuk ishte në dijeni të hetimeve të sigurisë nga FBI-ja, por shtoi se “nuk kishte arsye që të mos i besonte ish-bashkëshortet”. Ajo tha se “ishte tmerruar dhe tronditur rëndë”, kur mësoi për akuzat kundër zotit Porter, për shkak se kishte patur marrëdhënie tepër profesionale me të brenda Shtëpisë së Bardhë.

Një tjetër ndihmës në Shtëpinë e Bardhë, shkruajtësi i fjalimeve, David Sorenson, po ashtu u largua pa pritur nga puna të premten e kaluar, pasi ish-bashkëshortja e tij tha se ai e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe mendërisht gjatë martesës. Sorenson i mohoi me ngulm akuzat, duke thënë se në fakt ai kishte qenë personi i keqtrajtuar gjatë martesës.

Colbie Holderness, ish-bashkëshortja e parë e zotit Porter, paraqiti një fotografi ku ajo duket me syrin e nxirë, duke thënë se ja kishte shkaktuar atë Porter, duke e qëlluar me grusht në fytyrë gjatë pushimeve në Itali, në vitin 2005.

Bashkëshortja e dytë e Porterit, Jennifer Willoughby, kishte siguruar një urdhër ndalimi për ish bashkëshortin në vitin 2010.

Rob Porter ishte ndihmës i afërt i Shefit të Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, për të cilin thuhet se i kishte thënë zotit Trump se ishte gati të jepte dorëheqjen për shkak të mënyrës se si e kishte trajtuar hetimin për lejen e sigurisë së zotit Porter.

Por zonja Conway tha se presidenti e kishte siguruar para se ajo të jepte intervistën, se ai ka “besim të plotë” tek puna e zotit Kelly në Shtëpinë e Bardhë dhe se nuk po kërkonte që ta zëvendësonte atë. Ajo citoi zotin Trump të ketë thënë se zoti Kelly “bën një punë të shkëlqyer”.

Si rrallëherë më parë, duke pranuar se ishin bërë gabime, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Raj Shah, tha se “të gjithë ne mund të kishim patur më tepër kujdes” në trajtimin e çështjes së zotit Porter. Ai tha se zoti Trump “e merr shumë seriozisht çështjen e dhunës ndaj grave”.

Por në komentet e tij të premten, zoti Trump nuk i përmendi asnjëherë gratë, madje ai e uroi zotin Porter për një karrierë të mirë në të ardhmen.

“Ai thotë se nuk ka faj dhe mendoj se këtë duhet ta mbani mend”, – u tha gazetarëve zoti Trump në Zyrën Ovale. “Dje ai këmbënguli se është i pafajshëm, prandaj duhet të flisni edhe me të”, – tha Presidenti.

Edhe të shtunën, Trump mbajti një qëndrim të ngjashëm, duke mbajtur anën e burrave të akuzuar për dhunë në familje, apo për sjellje të papërshtatshme seksuale; ai ngriti dyshime për lëvizjen #MeToo në Shtetet e Bashkuara, në kuadrin e së cilës dhjetra burra të shquar në karrierën e tyre janë pushuar nga puna, apo kanë dhënë dorëheqjen, pasi një numër grash i kanë akuzuar për sjellje të papërshtatshme seksuale.

“Jetë njerëzish po tronditen, apo prishen nga një akuzë e thjeshtë,” shkruante Presidenti Trump në Twitter. “Disa prej akuzave janë të vërteta, por disa të tjera janë gënjeshtra – disave u është prishur karriera e jeta. A nuk eksizston më një sistem juridik normal, ku të shqyrtohen këto çështje?”

Gruaja e dytë e zotit Porter, Jennifer Willoughby, shkruante në revistën “Time” se duke përdorur fjalët “thjesht akuza” dhe “të akuzuar pa të drejtë”, zoi Trump e quante atë gënjeshtare.

“E vërteta qëndron, pavarësisht në se Presidenti e pranon, apo jo atë.“- shkruante ajo.

Ndërsa disa nga burrat kanë thënë se janë të pafajshëm, në mesin e tyre edhe zoti Trump, të cilin e kanë akuzuar dhjetra gra për veprime të papërshtatshme seksuale para se të kandidonte për president, të tjerë kanë pranuar se janë sjellë në mënyrë të papërshtatashme, duke dhënë dorëheqjen, ose janë pushuar nga puna, pas hetimeve që kanë kryer korporatat, duke i verifikuar akuzat ndaj tyre.

SHBA dhe Turqia zotohen për luftimin e terrorizmit

Zyrtarët amerikanë dhe ata turq kanë deklaruar përsëri bashkëpunimin strategjik mes dy shteteve dhe kanë konsideruar mënyra, “për të zgjeruar luftimet e përbashkëta”, kundër terrorizmit, është thënë në një deklaratë të të dy vendeve.

Këshilltari për Siguri Kombëtare, H R McMaster dhe Ibrahim Kalin, këshilltari special i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, “kanë diskutuar çështje që prekin marrëdhëniet bilaterale dhe kanë shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të luftimeve të përbashkëta kundër të gjitha formave të terrorizmit”, është thënë në deklaratën e 11 shkurtit.

“Ata po ashtu kanë shkëmbyer qëndrimet për marrëdhëniet amerikano-turke, si dy aletë të vjetër, sfidat e përbashkëta dhe zhvillimin rajonal”, është thënë ndër të tjera në deklaratë.

Vizita e McMaster në Stamboll ka ndodhur në kuadër të udhëtimit të tij në Lindjen të Mesme së bashku me Sekretarin e Shtetit, Rex Tillerson, i cili ka arritur në Kajro.

Tillerson do ta vizitojë edhe Turqinë, Jordaninë, Libanin dhe Kuvajtin.

Pavarësisht kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara, më 20 janar Turqia ka nisur një operacion në tokë dhe ajër kundër anëtarëve të Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG), në rajonin Afrin të Sirisë.

Turqia akuzon YPG-në se ka lidhje më Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK).

Sidoqoftë SHBA-ja ka mbështetur anëtarët e YPG-së në luftën e tyre kundër militantëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik në Siri.

Presidenti Trump bllokon raportin e demokratëve

Presidenti Donald Trump nuk ka lejuar nxjerrjen e një dokumenti të demokratëve të përgatitur si reagim ndaj raportit republikan me akuza për shkelje të FBI-së gjatë hetimeve mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Në një letër të bërë publike dje, konsulenti ligjor i Shtëpisë së Bardhë Don McGahn thotë se presidenti ka vendosur të mos lejojë publikimin e dokumentit sekret të demokratëve, pasi “në të ka një numër paragrafësh sekretë dhe pasazhesh me informacion të fshehtë”.

Po dje, ligjvënësi demokrat Seny Hoyer shprehej se ishte “shumë shqetësuese që Presidenti Trump kishte bllokuar nxjerrjen e dokumentit të shkruar nga demokratët. Ligjvënësi shkruan më tej se presidenti nxori më 2 shkurt “një raport të njëanshëm, shumë çorientues të shkruar nga republikanët në Komisionin e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, prandaj do të ishte me vend që t’u ofronte amerikanëve të gjitha faktet”.

Javën e kaluar presidenti autorizoi nxjerrjen e një raporti të republikanëve, në të cilin ngriheshin pretendime se FBI-ja kishte siguruar në mënyrë të parregullt një leje nga gjykata për të përgjuar Carter Page, ish-këshilltar për fushatën Trump dhe për të zbuluar lidhjet që kishte me rusët.

Trumpi nënshkroi ligjin për buxhetin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar të premten ligjin për buxhetin dyvjeçar.

“Sapo e nënshkrova ligjin”, ka shkruar Trump në Twitter.

Më herët, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara i është bashkuar Senatit dhe ka miratuar ligjin për buxhetin, duke i dhënë fund mbylljes së qeverisë që ka zgjatur disa orë.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar me 240 vota për dhe 186 kundër marrëveshjes për buxhet në vlerë prej 400 miliardë dollarësh.

Senati më herët e ka miratuar atë me 71 vota për dhe 28 kundër.

Më 19 janar, Qeveria amerikane është mbyllur për tre ditë, pasi Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk kanë arritur të bëjnë marrëveshje për ligjin e financave.

Qeveria është rihapur më 23 janar, shumë shpejt pasi të dyja Dhomat e Kongresit kanë bërë një marrëveshje të përkohshme.

Shtohet mbështetja për Presidentin Trump

Sipas sondazhit publik të universitetit Quinnipiac, mbështetja për Presidentin Donald Trump llogaritet në 40 për qind, rezultati i tij më i mirë në shtatë muaj. Ka gjasa që zoti Trump të ketë përfituar nga treguesit e fortë të ekonomisë amerikane. Por analistët thonë se ai mund të përballet me rreziqe politike, për shkak të kritikave të vazhdueshme ndaj demokratëve dhe hetimeve në vazhdim për një marrëveshje të mundëshme të fshehtë mes Rusisë dhe njerëzve të fushatës së tij.

Presidenti Trump theksoi ndikimin që ka patur ulja e taksave gjatë një vizite në një fabrikë në Ohajo.

Por ai kritikoi gjithashtu demokratët që nuk e duartrokitën gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit.

“Ata ishin si vdekja dhe aspak amerikanë. Dikush tha tradhtar. Mendoj, pse jo?! A mund ta quajmë këtë tradhëti? Pse jo!”

Ky është një devijim i fortë nga toni që ai përdori në fjalimin e tij të fundit në Kongres ku i mëshoi perspektivës së bashkëpunimit dypalësh.

“U bëj thirrje të gjithëve të lëmë mënjanë dallimet që kemi, të shohim mundësitë për bashkëpunim dhe unitetin për të cilin kanë nevojë njerëzit”.

Përmirësimi i lehtë në sondazhet ndaj presidentit Trump tregon se votuesit e vlerësojnë atë për ekonominë në rritje.

Por shpërthimi i fundit i tij ndaj demokratëve mund të jetë dëmtues thotë Jim Kessler.

“Nëse zoti Trump është i zgjuar ai do të përpiqet të bëjë marrëveshje me demokratët. Por ata nuk kanë treguar se janë të aftë për të kaluar më shumë se një javë pa ndonjë problem. Unë parashikoj kaos”, thotë Jim Kessler i organizatës Third Way.

Zoti Trump dhe disa nga aleatët e tij republikanë vazhdojnë të shprehin pakënaqësi lidhur me hetimin për Rusinë.

Demokratët e shohin këtë si një përpjekje të bashkërenduar për të minuar hetimin e udhëhequr nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

“Ata nuk ndalen me teoritë e konspiracionit, me qasjen qesharake. Kjo ndoshta sepse kanë frikë se çfarë mund të dalë nga një hetim i vërtetë që po kryen Mueller”, thotë udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Hetimi që po kryen zoti Mueller nuk jep ndonjë shenjë se mund të përfundojë së shpejti dhe siç thotë analisti John Fortier mund të bëhet faktor në zgjedhjet e kongresit të mesit të mandatit që mbahen këtë vit.

“Kjo hedh hije mbi presidencën e tij. Nuk e dimë kur do të përfundojë. Nuk dimë çfarë do të dalë nga hetimet, mund të jetë zhgënjyes në një mënyrë ose tjetrën”, thotë John Fortier i qëndrës për politika dy palëshe.

Një përmirësim në sondazhet e presidentit mund të ndihmojë republikanët të ruajnë shumicën në kongres në zgjedhjet e mesit të mandatit.


Send this to a friend