E bëjnë të ditur disa media amerikane, zëdhënësi i Kremlinit e konfirmon
VOAL – 2 PRILL – Donald Trumpi gjatë një bisede telefonike me Vladimir Putinin e ftoi udhëheqësin e Kremlinit në Uashington, duke propozuar një takim SHBA-Rusi në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është transmetuar nga disa media amerikane dhe lajmi është konfirmuar nga një nga zëdhënësit e presidentit rus, Yury Ushakov, cituar nga Interfax. Burimet e administratës amerikane nuk e mohojnë, por theksojnë se ende nuk ka ngjarje të planifikuara.Ftesa e Trumpit për Putinin erdhi gjatë telefonatës midis dy liderëve më 20 mars.
Zyrtarët amerikanë thonë se presidenti Donald Trump ka urdhëruar Departamentin e Shtetit të suspendojë mbi 200 milionë dollarë ndihma për Sirinë, teksa administrata e tij po rivlerëson rolin e Shteteve të Bashkuara në konfliktin atje.
Udhëri për ngrirjen e fondeve fillimisht është raportuar nga Wall Steet Journal më 30 mars, një ditë pasi Trump ka thënë se SHBA do të “tërhiqet nga Siria shumë shpejt”. Disa media në SHBA dhe media ndërkombëtare më 31 mars, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar kanë konfirmuar dhënien e këtij urdhëri.
Sekretari i Shtetit në largim, Rex Tillerson, kishte premtuar 200 milionë dollarë ndihma shtesë gjatë shkurtit, në mbledhjen e koalicionit global kundër grupit militant Shtetit Islamik, mbledhje kjo që ishte mbajtur në Kuvajt.
Tillerson ka argumentuar se SHBA duhet të mbetet e përfshirë në Siri, në mënyrë që të parandalojë kthimin e luftëtarëve të IS-it dhe Al-Kaidës, dhe t’ia pamundësojë Iranit mundësinë që të “forcojë më tejë pozitën në Siri”.
Rusia dhe Irani mbështesin presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkaq Uashingtoni dhe aleatët, mbështesin grupet rebele në këtë konflikt.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara planifikon të kërkojë historinë në mediat sociale nga gati secili që do të kërkojë të hyjë në Shtetet e Bashkuara.
Propozimet e Departamentit amerikan të Shtetit, të publikuara të premten, janë pjesë e politikës së presidentit Donald Trump për “verifikim ekstrem”.
Shumica e aplikuesve për viza emigrante dhe jomigrante do të duhet të listojnë në aplikacion të gjitha identitetet që kanë përdorur në mediat sociale në pesë vjetët e fundit.
Zyra për Menaxhim dhe Buxhet e SHBA-së ka 60 ditë kohë për t’i komentuar dhe miratuar propozimet.
Nëse miratohen, aplikuesve do t’iu kërkohet të tregojnë edhe numrat e telefonit që kanë përdorur në pesë vjetët e fundit, adresat e emaileve dhe udhëtimet ndërkombëtare.
Propozimet i mbështesin zotimet e Trumpit për të goditur migrimin e paligjshëm, për shkaqe të sigurisë. rel
MOSKË — “Nuk mund të luash teatër dhe as të dish kohën ideale”, thotë me të qeshur ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman.
Me këto komente, ai po i referohej një bisede telefonike të presidentit amerikan Donald Trump, javën e kaluar, me presidentin Vladimir Putin, gjatë së cilës ai e uroi udhëheqësin rus për rizgjedhjen.
Thirrja telefonike i kapi të papërgatitur këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, të cilët i kishin sugjeruar zotit Trump të mos nxitonte për ta uruar zotin Putin dhe nga ana tjetër, ngriti shpresa të rreme në Moskë se Shtetet e Bashkuara, mund të mos t’i bashkoheshin përpjekjes së bashkërenduar të dhjetra vendeve perëndimore, që u hakmorrën ndaj Rusisë për helmimin e ish-agjentit rus në Britani, për të cilin Londra fajëson Kremlinin.
Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, duke vlerësuar gjendjen e tanishme të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës, ambasadori Huntsman thotë se Presidenti Trump nuk e ka ndryshuar strategjinë e tij ndaj Rusisë.
“Mund t’ju them se, përsa kohë kam diskutuar me presidentin rreth Rusisë, që kur më kërkoi të bëhesha ambasador në Moskë, ai ka patur të njëjtën strategji, vazhdimin e dialogut, megjithë sfidat, dëshira e tij është ta mbajë gjallë dialogun”, thotë ambasadori Huntsman për Zërin e Amerikës.
Por, ai shton se presidenti Trump e ka bërë të qartë se “….pret që dialogu dhe takimet në nivel krerë shtetesh të bazohen në përparimin për çështjet më të rëndësishme. I ardhur nga sektori privat – dhe unë kam punuar me presidentë si Demokratë edhe Republikanë – mund t’ju them se ai është i prirur drejt arritjes së rezultateve. Ai do të dijë se ku po shkojmë, çfarë është bërë, çfarë përparimi është arritur, për shembull për Ukrainën, dhe për çështje të tjera si kjo. Ai është i orientuar drejt rezultateve dhe marrëdhëniet po ecin në këtë drejtim”.
Për një ambasador në qendër të një stuhie si të Luftës së Ftohtë, ai mbetet optimist.
Ai është i përgatitur për përgjigjen e Kremlinit për të dëbuar diplomatë amerikanë. “Pres që ata të përgjigjen me masa simetrike”, thotë ai. Dhe vetëm disa orë pas intervistës, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi se Rusia do të dëbojë një numër të njëjtë diplomatësh amerikanë.
Vazhdimi i Dialogut
Ambasadori Huntsman thotë se cilidoqoftë reagimi i Kremlinit, “është përgjegjësi e të dy vendeve të vazhdojnë dialogun, sado të vështira të jenë marrëdhëniet dypalëshe, ose çështjet e sigurisë rajonale”.
Dhe dialogu duhet të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të fundit në Rusi, për të cilat Ambasadori Huntsman thotë se nuk i ngjajnë aspak zgjedhjeve normale. “Nuk jam i sigurtë nëse ato mund të quhen zgjedhje”, thotë ai. “Unë kam kandiduar disa herë për poste publike dhe arrij t’i dallojë zgjedhjet kur ka të tilla, ku dominon debati intensiv, shtypi që i mbulon gjerësisht, ku flitet për çështjet kryesore. Nuk vura re dialog të madh këtu për çështjet më të rëndësishme”.
Zoti Huntsman thotë se ballafaqimi me Rusinë nuk do të përfundojë edhe nëse Kremlini i kufizon kundër-masat në një përgjigje simetrike. Çështjet që ndajnë Perëndimin nga Lindja nuk kanë të bëjnë vetëm me helmimin e ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare Yulia.
“Varet se çfarë nënkupton me rezultatin përfundimtar”, thotë ai. “Por një rezultat i suksesshëm do të ishte, që Rusia të tërhiqej nga aktivitetet keqdashëse dhe të bëhej një partner i përgjegjshëm”. Ai citon si shembull Sirinë, duke u ankuar se Rusia votoi pesë herë në Këshillin e Sigurimit kundër zhvillimit të hetimeve për përdorimin e armëve kimike nga Siria.
Besimi tek Britania
Në intervistat për shtypin rus, ai pyetet shpesh se përse Shtetet e Bashkuara i besojnë Britanisë, që pas përpjekjes për atentat ndaj Skripalit qëndron shteti rus.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, ambasadori Huntsman thotë se “Besimi nuk është marrje e një vendimi, kë të besosh e kë jo. Ne jemi demokraci të pjekura. Ne kemi shoqëri të fuqishme civile, ne jemi vende të hapura, transparente, si Shtetet e Bashkuara edhe Britania. Në vendet tona nuk ndodh që të kryesh hetime pa patur shumë sy të interesuar që të ndjekin në çdo hap dhe gjatë tërë procesit. Ky është mjedisi në të cilin veprojmë ne. Barra i bie Britanisë të hetojë në këtë rast dhe të dalë me përfundimet e veta. Dhe pa dyshim që ka patur shkëmbim të ngushtë informacioni, kjo është mënyra si funksionojnë shërbimet e rendit”.
Ai beson se në të ardhmen do të mësohet shumë më tepër.
Por, edhe mes këtij ballafaqimi diplomatik, që shumë njohës me përvojë e krahasojnë me pikat më të ulta të marrëdhënieve gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, ambasadori Huntsman thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë angazhimin me Rusinë sa më mirë që të munden, duke kërkuar ndryshime dhe përmirësime. “Për ata që mendojnë se nuk ka mbetur asgjë, kjo nuk është e vërtetë”, thekson ai.
Ai shton se do të ishte papërgjegjshmëri e madhe nëse nuk do të vazhdonte dialogu me Rusinë për çështje të tilla të stabilitetit strategjik, si kontrolli i armëve, paqja dhe stabiliteti në Lindjen e Mesme, dhe konflikti në Siri, i cili, thotë ai “….duhet të zgjidhet, si nga ana e luftimeve, edhe nga formimi i qeverisë më pas”.
Por, ai e pranon se një zgjidhje e shpejtë nuk është realiste. “Shpresat shuhen, marrëdhëniet prishen, e kemi parë këtë skenar shpesh herë. Vëmendja duhet të përqëndrohet tek interesat e përbashkëta, aty ku ato takohen dhe mbi to të fillojë dialogu”.
Një zyrtar i lartë i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm, gjatë javëve të fundit të garës presidenciale më 2016, me një bashkëpunëtor biznesi, i cili ka qenë ish-zyrtar i inteligjencës ruse.
Lidhja midis ish-zëvendësudhëheqësit të fushatës së Trumpit, Rick Gates, dhe ish-zyrtarit të inteligjencës ruse u zbulua në dokumentet e gjykatës, të paraqitura nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller. Ky i fundit e identifikon rusin vetëm si “personi A” dhe thotë se ai ka punuar për fushatën e Trumpit.
Gazeta New York Times, duke cituar, siç thotë, një person të afërt me çështjen, e identifikoi “personin A” si Konstantin Kilimnik, bashkëpunëtor i ish-udhëheqësit të fushatës së Trumpit, Paul Manafort, edhe gjatë fushatës zgjedhore, edhe gjatë kohës kur Manafort ka punuar për Qeverinë e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.
Dokumentet e gjykatës thonë se Gates ka pranuar thirrje të shpeshta telefonike nga “personi A” në shtator dhe tetor të 2016-ës, disa javë përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Sipas dokumenteve, FBI beson se “personi A” ka pasur lidhje aktive me shërbimet e spiunimit në Rusi në atë kohë.
Manafort e ka mohuar se Kilimnik ka pasur lidhje me inteligjencën ruse. Por dokumentet e gjykatës thonë se Gates i ka thënë një bashkëpunëtori se “personi A” ka qenë oficer i inteligjencës ushtarake ruse.
Mueller ka akuzuar edhe Gatesin, edhe Manafortin për krime të dyshuara, por që nuk lidhen me kontaktet e tyre me ish-operativin e inteligjencës ruse.
Gates, muajin e kaluar, ka pranuar se ka gënjyer FBI-në dhe se ka bërë konspiracion për të mashtruar Shtetet e Bashkuara. Ai tani është duke bashkëpunuar me ekipin e Muellerit, i cili po heton lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së Trumpit.
Kilimnik, vendndodhja e të cilit aktualisht nuk dihet, ka mohuar se ka pasur lidhje me inteligjencën ruse.
The Washington Post, Associated Press dhe media të tjera kanë raportuar vitin e kaluar se Kilimnik, gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ka vepruar si ndërmjetës midis Manafortit dhe manjatit rus të aluminit, Oleg Deripaska, aleat i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin.
Mediat kanë raportuar se Manafort i ka ofruar Deripaskas informacione në lidhje me përparimin e fushatës së Trumpit.
Manafort nuk e ka pranuar fajësinë për akuzat, disa prej të cilave lidhen me punën e tij për qeverinë e Yanukovychit, i cili është përmbysur nga protestat dhe ka ikur në Rusi në vitin 2014.
Në një postim në twiter Presidenti Donald Trump tha sot se “Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane nuk do të shfuqizohet!
Ai tha se megjithë dëshirën e demokratëve që kjo të ndodhë dhe pavarësisht fjalëve të ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë John Stevens, kjo nuk ka për të ndodhur. “Kemi nevojë për më shumë republikanë në vitin 2018 dhe duhet ta mbajmë Gjykatën e Lartë“, tha zoti Trump.
Një ditë më parë. ish anëtari i Gjykatës së Lartë John Paul Stevens, bëri thirrje për shfuqizimin e “Amendamentit të Dytë”, duke përmendur si shtysë për këtë, protestat në përgjigje të ngjarjes vdekjeprurëse në një shkollë të mesme në Parkland të Floridës.
Në një shkrim në gazetën New York Times të publikuar dje, 97-vjeçari Stevens shkruante se një amendament kushtetues për këtë çështje, do të ndihmonte më shumë në drejtim të dobësimit të aftësive të Shoqatës Kombëtare të Armëve (NRA) për të penguar debatin legjislativ dhe bllokuar legjislacionin lidhur me kontrollin e armëve.
Zoti Stevens u largua nga gjykata në vitin 2010, pas më shumë se 35 vjetësh në detyrë.
Ndërkohë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se administrata Trump është përqendruar në heqjen e armëve nga individë të rrezikshëm, “pa u hequr të gjithë amerikanëve të drejtën e tyre kushtetuese”.
Shfuqizimi i “Amendamentit të Dytë” do të ishte shumë i vështirë. Një amendim i kushtetutës mund të propozohet vetëm nga Kongresi me dy të tretat e votave të të dyja dhomave ose me një Konventë Kushtetuese të kërkuar nga dy të tretat e ligjvënësve të të gjithë shteteve. Në mënyrë që të hyjë në fuqi, amendimi duhet të miratohet nga tre të katërtat e shteteve.
Në SHBA, avokati i aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels po i kërkon një gjykate federale që ta detyrojë Presidentin Donald Trump të deponojë nën betim rreth aferës së dyshuar që ajo thotë se ka patur me zotin Trump gjatë një nate të vitit 2006.
Avokati Michael Avenatti e paraqiti kërkesën sot në një gjykatë të Kalifornisë. Ai kërkoi deponim edhe nga avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, i cili në prag të zgjedhjeve të vitit 2016 i pagoi aktores 130 mijë dollarë që ajo të mos fliste rreth marrëdhënies, për të cilën Daniels thotë se ndodhi gjatë një turneu golfi në Nevada.
Avenatti thotë se dëshiron të dijë nëse zoti Trump kishte dijeni për pagesën dhe nëse kishte rënë dakord që pagesa të bëhej.
Seanca dëgjimore për të shqyrtuar kërkesën e tij është caktuar për në datën 30 prill.
Zoti Trump, i cili komenton shpesh në Twitter për çështje nga më të ndryshmet, nuk ka folur rreth zonjës Daniels, edhe pse ndihmësit e tij thonë se ai i mohon të gjitha akuzat, duke përfshirë edhe akuzën se në vitin 2011 aktorja dhe vajza e saj u kërcënuan pas një interviste që ajo dha për çështjen në fjalë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve në lidhje me pagimin e 130 mijë dollarëve, duke i referuar gazetarët te avokati Cohen. Zoti Cohen thotë se i ka paguar paratë nga një linjë personale krediti.
Kritikët e Presidentit Trump thonë se pagesa për zonjën Daniels përbënte në fakt një donacion të paligjshëm fushate, për shkak se u bë shumë pranë zgjedhjeve dhe se shuma i kalonte kufijtë e lejuar në fushatat politike. za
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se takimi historik në mes të liderëve të Kinës dhe Koresë së Veriut ka shkuar “shumë mirë” dhe se lideri verikorean, Kim Jong Un i etur të mbajë samit me Trumpin.
“Kam pranuar mesazh mbrëmë nga presidenti i Kinës, Xi Jingping se takimi i tij me Kim Jong Un ka shkuar shumë mirë dhe se Kim po pret të takohet me mua”, ka shkruar Trump në Twitter.
“Në ndërkohë, fatkeqësisht, maksimumi i sanksioneve dhe presionit duhe të vazhdojë”, ka shtuar Trump.
Pas disa ditësh spekulimesh është konfirmuar se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka vizituar Kinën.
Ai është takuar me liderin kinez, Xi Jingping në Pekin, ka raportuar agjencia kineze e lajmeve Xinhua.
Kina është aleatja kryesore ekonomike e Koresë së Veriut.
Kjo është vizita e parë e Kim jashtë vendit, prejse ai ka marrë detyrën më 2011.
Helmimi i një ish-spiuni rus në Britani është pjesë e strategjisë së Kremlinit për të ndarë Perëndimin, duke kryer operacione të fshehta dhe pastaj duke nxitur dyshime dhe mosmarrëveshje rreth asaj se kush është përgjegjës, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.
Një ditë pasi dhjetëra qeveri në gjithë botën njoftuan për dëbimin e 144 diplomatëve rusë për shkak të helmimit, Mattis tha se mohimi i përgjegjësisë nga ana e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për “tentim-vrasjen” e Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, në Sallsbëri të Anglisë, nuk mund të merret seriozisht.
Mattis tha se incidenti në Sallsbëri ka përfshirë përdorimin e qartë të një “arme të shkatërrimit në masë”, të cilën Qeveria britanike e ka identifikuar si agjenti nervor Novichok, i prodhuar në Rusi gjatë Luftës së Ftohtë.
Sipas zyrtarit amerikan, strategjia e Rusisë ka nisur të shihet qysh në vitin 2014 në Ukrainë, kur Moska ka dërguar njerëz të armatosur në Krime pa shenja identifikimi.
Rusia, shtoi Mattis, ka vazhduar më pas me përpjekjet e fshehta për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.
“Ajo i heq shenjat e uniformave të ushtarëve dhe hyn në Krime. Ajo thotë se nuk ka të bëjë asgjë me separatistët në lindje të Ukrainës”, tha Mattis, duke iu referuar Rusisë.
“Nuk jam i sigurt se si mund ta thonë këtë pa i ndryshuar shprehjet në fytyrë, por bëjnë gjëra që besojnë se mund t’i mohojnë”, tha Mattis.
NATO iu bashkua dhjetëra qeverive që kanë dëbuar diplomatët rusë nga ambasadat dhe misionet e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dëbimet do t’i dërgojnë mesazh Rusisë se ka “kosto dhe pasoja për sjelljen e papranueshme”.
Udhëheqësit britanikë thanë se dëbimi i diplomatëve rusë “është një pikë e mundshme kthese”, ndërsa Rusia tha se e gjithë kjo është rezultat i presionit “kolosal” nga Shtetet e Bashkuara dhe u zotua se do të përgjigjet.
Stoltenberg tha se NATO do të mbetet “e hapur për dialog me Rusinë”, ndërsa Mattis tha se Rusia “ka ende potencial që të jetë partner me Evropën”.
Shtetet e Bashkuara thanë se dënojnë me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, që sipas tyre rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal.
Në një deklaratë të lëshuar të martën nga zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert, SHBA u bëjnë thirrje të gjitha palëve “që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës si dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.”
“Për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, – thuhet në deklaratë, – Kosova dhe Serbia duhet të përqëndrohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet Dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.”
“Shtetet e Bashkuara, – përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit, – janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e Dialogut.”
Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se ka biseduar në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Wess Mitchell për zhvillimet e djeshme.
“Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se ruajtja e paqes është parakusht për vazhdimin e çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e rajonit”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit serb.
Të hënën, njësitë e policisë së Kosovës ndërhynë në veri për të shpërndarë një tubim ku merrnin pjesë zyrtarë serbë që kishin hyrë në Mitrovicë me gjithë ndalesën nga autoritetet e Prishtinës.
Policia arrestoi dhe e dërgoi në Prishtinë shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili bashkë me sekretarin e përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviç, kishin hyrë në Mitrovicë jashtë rrugëve të ligjshme.
Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë të tubuarit.
Komiteti Gjyqësor i Senatit amerikan ka thënë të hënën se ka ftuar shefat ekzekutivë të Facebookut dhe Twitterit për të dëshmuar më 10 prill në një seancë për privatësinë e të dhënave, transmeton Reuters.
Udhëheqësi i komitetit, senatori, Charles Grassley, ka thënë se ka ftuar kryesuesin e Facebookut, Mark Zuckerberg, “për të dëshmuar në gjykatë që të diskutojë për politikat e të kaluarës dhe të ardhmes së këtij rrjeti social duke marrë parasysh mbrojtjen dhe vëzhgimin e të dhënave të konsumatorëve”.
Facebook është duke u përballur me presion nga reklamuesit pas skandalit se një firmë politike konsulente ka pasur qasje në të dhënat e rreth 50 milionë përdoruesve.
Një zëdhënës i Facebook ka thënë se kompania ka pranuar ftesën dhe është duke e shqyrtuar atë.
Presidenti amerikan Donald Trump autorizoi dëbimin e 60 agjentëve të dyshuar rusë nga Shtetet e Bashkuara në përgjigje të një sulmi me agjent nervor ndaj një ish-spiuni rus në qytetin anglez të Salisburyt.
Zyrtarët e lartë të administratës thanë se 48 “oficerë të njohur të zbulimit” në konsullatën ruse në Seattle dhe 12 të tjerë në misionin rus në Kombet e Bashkuara kanë shtatë ditë afat për t’u larguar nga vendi.
“Shtetet e Bashkuara e ndërmarrin këtë veprim së bashku me aleatët dhe partnerët tanë në gjithë botën, si përgjigje ndaj përdorimit nga ana e Rusisë të armëve kimike për përdorim ushtarak në tokën Britanike“, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.
Polonia, Gjermania dhe Lituania njoftuan gjithashtu se edhe ato po dëbojnë diplomatë rusë lidhur me helmimin në Britani.
Irani ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump për të emëruar ish-ambasadorin në OKB, John Bolton në postin e këshilltarit për siguri kombëtare, përderisa një zyrtar ka thënë se ky emërim është “i turpshëm” dhe është shenjë se Uashingtoni dëshiron që të rrëzojë Qeverinë në Teheran.
Një zëdhënës i Boltonit i ka quajtur këto deklarata si “propagandë”.
Ali Shamkhani, sekretar i Iranit në Këshillin për Siguri Kombëtare, ka bërë një referencë se Bolton ka marrë pjesë në një takim të grupit opozitar iranian më 2017, grupit Muxhahedinët e Popullit iranian (MEK). Ky grup është në ekzil dhe mbështet rrëzimin e udhëheqësisë së Iranit.
Agjencia e lajmeve Fars ka cituar Shamkhanin të ketë thënë më 25 mars se për “për një superfuqi, është e turpshme që këshilltari për siguri kombëtare merr pagë nga grupe terroriste”. Megjithatë, ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij dhe MEK ka mohuar se ka financuar Boltonin apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan.
Gjithashtu, Hossein Naghani Hosseini, zëdhënës në komitetit parlamentar për siguri kombëtare dhe politikë të jashtme, i ka thënë agjencisë ISNA se emërimi i Boltonit, si dhe i ish-shefit të CIA-s, Mike Pompeo në postin e Sekretarit të Shtetit, “dëshmon se qëllimi final i SHBA-së është që të rrëzojë Qeverinë iraniane”.
Ai ka pretenduar se SHBA-ja do të përdorë grupin MEK për të tentuar që të rrëzojë nga pushteti lidershipin teokratik në Teheran. Megjithatë, edhe ai nuk ka ofruar asnjë dëshmi për pretendimet e tij.
Zëdhënësi i Bolton, Garret Marquis, ka thënë se Bolton “nuk i përgjigjet propagandës që vjen nga një Qeveri që për një kohë të gjatë është në listën e SHBA-së për shtetet që sponzorisojnë terrorizmin”.
Në Paris, zëdhënësi i MEK-ut,Shahin Ghobadi ka thënë se pretendimet se grupi i tij “ka financuar ambasadorin Bolton apo ndonjë zyrtar tjetër amerikan, janë thjesht gënjeshtra dhe shaka”.
Bolton në të kaluarën ka avokuar për ndryshim të regjimit në Iran dhe ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin, përmes së cilës, Teheranit i lehtësohen sanksionet, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.
Në fjalimin e tij në korrik në mbledhjen e MEK-ut, Bolton kishte shprehur shpresën e tij se Qeveria e Iranit do të rrëzohej “më 2019”.
Presidenti Trump ka njoftuar më 22 mars se Bolton do të emërohet këshilltar për siguri kombëtare në vend të H.R. McMaster.Bolton, 69-vjeç, ka qenë kritikues i madh i politikave të jashtme të Partisë Republikane. Ai ka avokuar për sulme ushtarake parandaluese kundrejt Koresë së Veriut dhe sulme në Iran.
Ai ka shërbyer në administratën e Ronald Reagan, George Bush dhe George W.Bush.
Qëndrimet e tij mbi marrëveshjen e Iranit duket se janë në një linjë me ato të Trumpit, i cili është kritikues i madh i marrëveshjes.
Trump vazhdimisht ka thënë se marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 është e keqe dhe ka kërkuar që ajo të “rregullohet” deri më 12 maj, në të kundërtën, Uashigtoni do të tërhiqet nga ky pakt.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mund të jetë në pragë të marrjes së vendimit për të dëbuar të paktën 20 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj helmimit të ish-spiunit rus në Britani, kanë raportuar mediat.
CNN dhe Reuters kanë thënë se vendimi mund të merret më 26 mars dhe se ky vendim me gjasë mund të varet nga lëvizjet e aleatëve evropianë, në përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor në qytetin Salisbury të Britanisë.
Ish-spiuni rus, Sergei Skripa dhe vajza e tij Yulia, ishin gjetur pa ndjenja më 4 mars dhe vazhdojnë të jenë në gjendje kritike.
Zyrtarët britanikë thonë se “ka gjasa të mëdha” që Moska qëndron pas këtij sulmi, qëndrim të cilin e ka shprehur edhe Bashkimi Evropian.
Londra ka dëbuar 23 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit. Moska ka mohuar çdo përfshirje dhe është kundërpërgjigjur duke dëbuar 23 diplomatë britanikë nga Rusia.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah ka thënë se Uashingtoni po e konsideron mundësinë e dëbimit të diplomatëve, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Mbretërisë së Bashkuara në dënimin e veprimeve të Rusisë. Presidenti gjithmonë e konsideron mundësinë për të mbajtur përgjegjëse Rusinë për veprimet keqdashëse”, ka thënë ai.
Agjencitë e lajmeve kanë cituar më 20 mars një burim në Departamentin amerikan të Shtetit të ketë thënë se Këshilli për Siguri Kombëtare i Trumpit i ka dhënë presidentit një sërë masash që mund të marrë kundrejt Rusisë. Mediat kanë raportuar se Moska pritet që të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë, nëse SHBA-ja dëbon diplomatët.
Çdo lëvizje e SHBA-së do të ishte në kundërthënie të dëshirës së shprehur të Trumpit për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.
Javën e kaluar, Trump kishte telefonuar presidentin rus, Vladimir Putin për t’i uruar fitoren në zgjedhje, por gjatë kësaj bisede ai nuk kishte përmendur helmimin në Britani.
Në ditën e fundit të vizitës së saj zyrtare në Washington, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, u prit në takime të ndara nga zyrtarë të lartë të Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore, zyrtarë të lartë të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe të Byrosë për Burimet e Energjisë.
Reshitaj, në takimin e parë u prit nga DepHan Goodman, zyrtar i Lartë për Kosovë, Louis Crishock, zyrtar për Diplomaci Energjetike pranë Byrosë për Burimet e Energjisë si dhe Justin Heung, zyrtar Ekonomik pranë Departamentit për Marrëdhënie me Evropën Jugore dhe Qendrore.
Në këtë takim, Reshitaj ka shprehur vizionin e saj për mjedisin dhe prioritetet qeverisëse, angazhimin për të bërë publikun të vetëdijshëm për rëndësinë e energjisë së ripërtërishme.
Ajo falënderoi shtetin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe kërkoi përkrahje në fushën e promovimit dhe subvencionimit të ekonomisë së gjelbër, miqësore me mjedisin.
Nga ana tjetër, zyrtarët e lartë të DASH-it deklaruan se SHBA-ja i ka dhënë Kosovës për 19 vitet e fundit 1.8 miliard dollarë.
“Kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen në shumë fusha duke përfshirë programin e shkencëtareve të rinj ku përmes Ambasadës Amerikane vitin e ardhshëm do të sjellim në Kosovë ekspertë për fusha të caktuara që pala Kosovare i identifikon si të nevojshëm”, deklaruan ndër të tjera zyrtarët amerikanë.
Në fund të takimit palët u zotuan që do të intensifikojnë veprimet e përbashkëta në nxitjen e investimeve kapitale në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit në veçanti.
Në takim me zyrtarët e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, ministrja Reshitaj kërkoi përkrahje për Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, në ngritjen e kapaciteteve, ruajtjen e ekosistemeve, florës e faunës.
Gjatë vizitës zyrtare të saj në Washington, Reshitaj mori përkrahje nga zyrtarë të lartë të SHBA-së në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Presidenti amerikan Trump tha se në botë ekziston “aq guxim i madh” në luftën kundër DEASH-it (ISIS), por se “janë të domosdoshme masa më të rrepta, kryesisht në kufi”
TREBES – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se sulmi i fundit vdekjeprurës në jug të Francës ka treguar nevojën për masa më të rrepta në luftën kundër organizatës terroriste DEASH.
Trump ka shkruar sot me rastin e nderimit të oficerit Arnaud Beltrame në Francë, i cili dha jetën e tij për të shpëtuar një peng gjatë sulmit terrorist të premten.
Trump në llogarinë e tij në Twitter shkroi se në botë ekziston “aq guxim i madh” në luftën kundër DEASH-it, por se “janë të domosdoshme masa më të rrepta, kryesisht në kufi”.
Beltrame të premten iu ofrua sulmuesit të armatosur 25-vjeçar, Redouane Lakdim, në këmbim të një gruaje penge. Ai me sukses la telefonin e tij celular të hapur, ashtu që policia të mund të dëgjonte jashtë se çfarë po ndodhte në market.
Zyrtarët thanë se kur dëgjuan të shtënat në market, ata vendosën të sulmonin Lakdim duke e vrarë atë me armë zjarri.
Beltrame u plagos rëndë dhe vdekja e tij rriti numrin e viktimave në katër, ndërsa 15 persona u plagosën.
Organizata terroriste DEASH mori përgjegjësinë për sulmin më të përgjakshmen që kur Emmanuel Macron u bë president i Francës në maj të vitit të kaluar. aa
Ilustrim i forcave amerikane dhe atyre sovjetike në luftën kundër nazistëve.
Në një qytet të Karolinës Veriore është anuluar plani për vendosjen e një monumenti në shenjë nderimi për pilotët sovjetikë të Luftës së Dytë Botërore.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi është duke synuar vendosjen e monumentit 25 tonësh në qytetin Elizabetë, i cili gjendet afër selisë së misionit sekret të Luftës së Dytë Botërore të ashtuquajtur “Projekti Zebra”.
Në këtë projekt kanë qenë pjesëmarrës qindra pilotë sovjetë në të cilin janë trajtuar forcat amerikane dhe ato sovjetike kur kanë qenë aleate në luftën e tyre kundër nazistëve.
Mirëpo qyteti ka votuar kundër një memorandumi mirëkuptimi i cili ishte nënshkruar më herët, duke thënë se ky hap është marrë për shkak të konflikteve në mes të dy shteteve.
“E kuptoj ky është gjest nderimi për heronjtë e Luftës së Dytë Botërore dhe ne kemi amerikanë që kanë luftuar në këtë kohë që janë varrosur në Rusi. Mirëpo koha ka qenë ndryshe atëherë”, ka thënë anëtarja e këshillit, Anita Hummer.
Këshilli paraprak i qytetit ka miratuar vitin e kaluar në mënyrë unanime vendosjen e monumentit.
Mirëpo këshilli i ri ka refuzuar një gjë të tillë.
“Ne jemi në luftë me Rusinë. Ne jemi duke u përballur me luftë kibernetike. Ata kanë ndërhyrë në zgjedhjet tona”, ka thënë një banore që është deklaruar kundër planit për vendosjen e monumentit.
Në projektin Zebra që ishte informacion i klasifikuar deri më 2013, janë trajnuar rreth 300 pilotë sovjetikë në kuadër të misionit për të gjetur dhe bombarduar nëndetëset gjermane.
Aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels, pritet të flasë sot rreth marrëdhënies me Presidentin Donald Trump, në emisionin “60 minuta” të kanalit CBS. Presidenti Trump ka mohuar të kenë patur marrëdhënie që sipas zonjës Daniels ndodhi në vitin 2006. Ajo është një nga tre gratë që gjenden tashmë në procese gjyqësore rreth marrëdhënieve me zotin Trump, të cilat mund të shkaktojnë shpërqëndrim të mëtejshëm për Shtëpinë e Bardhë, të përfshirë në turbullira politike në disa fronte.
Njihet si Stormy Daniels, por emri i saj i vërtetë është Stephanie Clifford.
Ajo kërkon shfuqizimin e një marrëveshjeje të nënshkruar me një avokat të zotit Trump ku i ndalohet të tregojë rreth marrëdhënies.
“Dëshiron që t’i tregojë popullit amerikan historinë e saj, versionin e saj të fakteve”, thotë avokati i saj, Michael Avenatti.
Edhe ish-modelja e revistës Playboy, Karen McDougal, ka filluar një proces gjyqësor ku kërkon mundësinë që të flasë rreth marrëdhënies së saj 10-mujore me zotin Trump, të filluar në vitin 2006.
Presidenti Trump përballet edhe me një padi për shpifje nga Summer Zevos, ish-pjesëmarrëse në spektaklin e drejtuar prej tij, “The Apprentice”. Ajo e ka akuzuar zotin Trump për qasje të padëshiruara seksuale në vitin 2007.
Gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016, zoti Trump mohoi akuzat e rreth 12 grave për sjellje të papërshtatshme seksuale.
“Nuk ja kam idenë se kush janë këto gra. Nuk e di fare. Mendoj se e kuptoni, pasi më keni kuptuar prej vitesh. OK?”, deklaroi atëherë zoti Trump.
Ai fitoi presidencën pavarësisht se u bë publike kaseta e “Access Hollywood” vetëm pak javë përpara zgjedhjeve. Në kasetë pati komente të shumta vulgare për gratë, për të cilat zoti Trump kërkoi ndjesë më vonë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë është përballur me pyetje të shumta për shkak të padive gjyqësore dhe intervistave të Stormy Daniels.
“Presidenti e ka bërë të qartë drejtpërsëdrejti se asnjë nga aludimet nuk janë të vërteta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Nëse paditë gjyqësore vazhdojnë, Presidenti do të përballet me sfida ligjore dhe politike.
“Me vazhdimin e proceve gjyqësore, ose duhet mohuar gjithçka duke ulur besueshmërinë, ose duhet të pranosh që pati diçka për të cilën nuk duhet folur; të dyja janë të dëmshme”, thotë David Abraham, i Universitetit të Majamit.
Zonja e Parë, Melania Trump, e shoqëroi Presidentin gjatë një vizite rishtazi në New Hampshire, por ajo nuk është prononcuar për paditë gjyqësore.
Qindra mijëra vetë pritet të marrin pjesë në tubimin “Marshojmë Për Jetët Tona” në sot në Uashington.
Tubimi është organizuar nga nxënësit e shkollës së mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridës, ku 17 persona u vranë më 14 shkurt në ngjarjen e fundit të vrasjeve masive në shkollat amerikane.
Organizatorët po kërkojnë që jeta e fëmijëve të bëhet prioritet për vendin. Ata po kërkojnë gjithashtu t’i jepet fund epidemisë së incidenteve me armë në shkollat amerikane.
Më shumë se 800 marshime të ngjashme janë planifikuar në secilin prej 50 shteteve të Shteteve të Bashkuara dhe në mbarë botën.
Jennifer Smith, një amerikane që jeton në Australi dhe një organizatore e manifestimit “Marshojmë për Jetën Tonë” në Sidnei, tha të shtunën: “Kur i dërgoj fëmijët e mi në shkollë nuk kam pse të shqetësohem se do t’u duhet të bëjnë praktikë për rastin e një sulmi me armë … Ne ende kemi familje dhe miq në Shtetet e Bashkuara dhe kjo është shpresa ime për të gjithë ata, që të gjithë, pavarësisht nëse janë nxënës që ndjekin shkollën ose thjesht një koncert, nuk duhet të kenë frikë për jetët e tyre“.
Amerikanët kanë hezituar të heqin dorë nga armët dhe ka pasur pak ndryshime në ligjet e armëve në përgjigje të të shtënave masive.
Një sondazh i ri i kryer nga Associated Press dhe Qendra për Kërkime të Marrëdhënieve Publike -NORC, tregon megjithatë se kjo ndjenjë mund të ndryshojë. Sondazhi tregon se 69 për qind e amerikanëve të anketuar mendojnë se ligjet e tanishme të armëve duhet të jenë më strikte, nga 61 për qind në tetor të vitit 2016 dhe 55 për qind në tetor të vitit 2013.
Në përgjithësi, anketimi tregoi se 90 për qind e demokratëve, 50 për qind e republikanëve dhe 54 për qind e pronarëve të armëve tani favorizojnë ligje më të rrepta të kontrollit të armëve.
Por, sipas sondazhit, gati gjysma e amerikanëve, nuk presin që politikanët e tyre të ndërmarrin veprime drejt ndryshimit të ligjeve të armëve.
Nxënësit aktivistë, megjithatë, kanë filluar të përqëndrohen në regjistrimin e votuesve për zgjedhjet e mesmandatit në Kongres që zhvillohen në vjeshtë.
Faqja e internetit “Marshojmë për Jetën Tonë” njofton se ka arritur pothuajse qëllimin e saj për të grumbulluar 3.8 milion dollarë fonde.
Aktori George Clooney dhe bashkëshortja e tij, Amal Clooney, një avokate, i dhanë organizatorëve të aktivitetit “Marshojmë për Jetët Tona një donacion prej 500,000 dollarë, i cili u përputh nga aktorja dhe personaliteti televiziv Oprah Winfrey, regjisori Steven Spielberg dhe producenti Jeffrey Katzenberg. Komediania Ellen DeGeneres dhe kompania fotografike Shutterfly njoftoi një donacion të përbashkët prej 50,000 dollarësh. Modelja Chrissy Teigen dhe bashkëshorti i saj muzikant John Legend, premtuan 25,000 dollarë.
Çifti Clooney, komediani Jimmy Kimmel, këngëtarët Ariana Grande, Miley Cyrus, Demi Lovato, dhe Bebe Rexha si dhe aktoret Jennifer Hudson, Sofia Vergara dhe Julie Bowen kanë shprehur synimin për të ndjekur marshimin e sotëm në Uashington.
Presidenti Donald Trump ka nxjerrë një urdhër që ndalon shumicën e transgjinorëve që të shërbejnë në ushtri, me përjashtim të “rrethanave të kufizuara”.
Në një deklaratë të premten në mbrëmje nga Shtëpia e Bardhë thuhet se sekretarët e mbrojtjes dhe sigurimit “kanë arritur në përfundimin se aderimi ose mbajtja e individëve me një histori ose diagnozë të disforisë gjinore – ata që mund të kërkojnë trajtim të konsiderueshëm mjekësor, paraqesin rrezik të konsiderueshëm për efektivitetin ushtarak “.
Presidenti premtoi vitin e kaluar të bllokonte transgjinorët të shërbenin në ushtri, një lëvizje që përmbyste politikën e presidentit Barak Obama për pranimin e tyre.
Lëvizja e presidentit Trump megjithatë është bllokuar nga disa sfida ligjore, dhe Pentagoni filloi të lejonte rekrutët transgjinorë që të regjistroheshin në ushtri në janar.
“Disforia gjinore”, e njohur dikur si çrregullim i identitetit gjinor, përcaktohet nga ndjenjat e forta dhe të qëndrueshme të identifikimit me gjininë e kundërt, gjë që rezulton në shqetësime apo dëme të konsiderueshme.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se ka nënshkruar projekt-ligjin e Kongresin që parashikon 1.3 trilonë dollarë shpenzime duke financuar qeverinë deri në 30 shtator dhe duke shmangur një orë mbyllje të qeverisë.
Nënshkrimi erdhi disa orë pasi zoti Trump kishte kërcënuar të vendoste veton ndaj projekt-ligjit duke fajësuar demokratët. Në një mesazh në twiter më herët gjatë ditës presidenti shkruante se projekt-ligji nuk ofronte mbrojtje për emigrantët e rinj pa dokumente të cilët kanë mbërritur në SHBA kur kanë qenë fëmijë dhe se nuk financon plotësisht murin kufitar me Meksikën.
Ligji i ri i buxhetit parashikon rritje të mëdha të shpenzimeve ushtarake dhe atyre jo-ushatarake. Ai i jep fund përpjekjeve të gjata të Kongresit që nga vjeshta e kaluar për të financuar agjencitë federale dhe u lejon ligjvënësve të përqëndrohet në zgjedhjet e Kongresit që mbahen në muajin nëntor.
Sekretari i Shtetit në largim Rex Tillerson mbajti një fjalim lamtumire për stafin e Departamentit të Shtetit. Sekretari Tillerson largohet zyrtarisht nga detyra më 31 mars, pasi u shkarkua papritur në përfundim të një vizite në Afrikë. Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi nëpërmje Twitter-it mëngjesin e 13 marsit, se po e zëvendësonte zotin Tillerson me drejtorin aktual të CIA-s, Mike Pompeo. Sekretari Tillerson nuk e përmendi Presidentin Trump në fjalimin e tij, ndërsa vëzhguesit thanë se kritika e tij i drejtohej qartësisht Presidentit dhe administratës së tij.
Sekretari Tillerson falenderoi punonjësit e Departamentit të Shtetit për kontributin e tyre për suksesin e diplomacisë amerikane.
“Asgjë nuk do të kishte qenë e mundur pa kontributin tuaj të përditshëm, që nga shpërndarësi i postës dhe deri tek kati i shtatë i zyrës ekzekutive”, tha Sekretari Tillerson.
Ish-drejtuesi i kompanisë Exxon nga Teksasi, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit personal.
“Vetëm ju mund ta braktisni apo të lejoni të kompromentohet. Nëse ndodh kështu, integriteti është tepër e vështirë të rifitohet. Ruajeni, pra, si gjënë më të shtrenjtë që keni”, tha Sekretari Tillerson.
Kjo deklaratë u kuptua si një shuplakë për elitën politike me sjellje të debatueshme në jetën private dhe atë publike. Sekretari Tillerson u përpoq të mos linte vend për keqinterpretim.
“Ky qytet mund të bëhet shumë zemërlig… Por nuk është e thënë që të bëheni me doemos pjesë e kësaj klime. Çdonjëri prej nesh mund të zgjedhë se çfarë njeriu dëshiron të jetë, mënyrën se si dëshiron të trajtohet, si dhe mënyrën si do të trajtojë të tjerët”, tha Sekretari Tillerson.
Shkarkimi i zotit Tillerson pritej të ndodhte kohë më parë. Por, mënyra se si ai u shkarkua, ngjalli pikëpyetje. Zëvendësi i tij, Steve Goldstein, tha se zoti Tillerson mësoi se ishte shkarkuar nëpërmjet një mesazhi të Presidentit Trump në Twitter. Shtëpia e Bardhë tha se zoti Tillerson ishte informuar paraprakisht nga shefi i stafit, John Kelly. Në vijim, Nënsekretari i Shtetit Goldstein u shkarkua për shkak se hodhi poshtë variantin e Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari Tillerson u bëri thirrje diplomatëve dhe të tjerëve që të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt.
“Në mbyllje, dua t’ju kërkoj që secili prej jush të ndërmarrë një gjest mirësie çdo ditë ndaj të tjerëve”, tha Sekretari Tillerson.
Presidenti Trump nuk komentoi pas fjalimit të Sekretarit Tillerson. Por, një ditë pasi e shkarkoi, ai shkruajti se ndjehet më mirë me Mike Pompeon.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, falenderoi zotin Tillerson për shërbimin ndaj vendit.
“Është shumë të lësh familjen, një punë të mirë, nipërit dhe fermën ku banonte. Të gjitha këto dëshmojnë për sakrificën që ai bëri”, tha zonja Nauert.
Gjatë pothuajse një viti në detyrë, Sekretari Tillerson udhëtoi jashtë SHBA-së për 90 ditë dhe vizitoi 38 vende.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në Twitter se ka zëvendësuar gjeneralin H.R. McMaster me ish ambasadorin e SHBA në OKB, John Bolton.
Presidenti shkruante në Twitter se Bolton do ta marrë zyrtarisht postin më 9 prill.
John Bolton ka qenë ambasador i SHBA në OKB, nga viti 2005 deri në 2006, i emëruar nga Presidenti George W. Bush dhe njihet si një diplomat i vijës së fortë. Ai është shprehur fuqimisht kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe ka shfaqur opinione po aq të forta lidhur me politikën ndaj Koresë së Veriut, duke u cilësuar si një “skifter” nga disa analistë.
Në të kaluarën zoti Bolton është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës.
Largimi i gjeneralit McMaster nga posti i këshilltarit të sigurisë kombëtare vjen në një kohë ndryshimesh të mëdha në ekipin e sigurisë së Presidentit Trump. Vetëm para rreth një jave, Presidenti Trump shkarkoi sekretarin e tij të shtetit Rex Tillerson, me një njoftim të bërë po me anë të Twitterit.
Në njoftimin e tij të enjten, Presidenti Trump shkruante: “I jam shumë mirënjohës Gjeneralit McMaster për shërbimin e tij, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe do të jetë gjithmonë miku im.”
Gjenerali McMaster do të tërhiqet nga ushtria, thanë zyrtarët, sipas të cilëve, ai kishte disa javë që e kishte diskutuar largimin e tij me Presidentin Trump.
Zyrtarët thanë gjithashtu se zoti Trump synonte ta plotësonte ekipin e tij të sigurisë kombëtare para takimit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Ata theksuan se largimi i Gjeneralit McMaster ishte një vendim i ndërsjelltë dhe miqësor.
Z. Bolton është takuar rregullisht kohët e fundit me zotin Trump për të diskutuar mbi politikën e jashtme dhe ishte në listën e kandidatëve për këshilltarë të sigurisë kombëtare.
Presidenti Donald Trump nënshkroi të enjten një dokument, që i hap rrugën tarifave të reja me vlerën e 60 miliardë dollarëve ndaj importeve kineze, që mund të çojnë në një luftë tregare me Pekinin. Kjo masë kundër Kinës është pjesërisht në përgjigje të vjedhjes dhe transferimit jo të ligjshëm të teknologjisë amerikane tek kompanitë kineze.
“Po ndodh një vjedhje e jashtëzakonshme e pronës intelektuale”, tha Presidenti Trump.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara duan që të zhvillohet tregti reciproke dhe të ketë një marrëveshje për tarifat me Kinën dhe me vende të tjera.
“Në se ata na bëjnë të paguajmë, të njëjtën gjë do bëjmë edhe ne”- komentoi Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë presidencës së tij 14-mujore, Trump e ka vlerësuar shpesh Presidentin kinez Xi Jinping, duke cituar marrëdhëniet e mira që ka me të. Por Trump vazhdimisht është ankuar për deficitin vjetor tregtar të Shteteve të Bashkuara me Kinën, me vlerën e 375 miliardë dollarëve, si arsye për vendosjen e kufizimeve të reja. Ai tha se me rritjen e tarifave tregtare, ai shpreson ta shkurtojë deficitin tregtar me Kinën, me 100 miliardë dollarë në vit.
Pekini thotë se askush nuk i fiton luftërat tregëtare, por nuk po tërhiqet nga kjo sfidë.
“Kina nuk dëshiron luftë tregtare me askënd. Por nëse dikush na detyron të luftojmë, nuk do të frikësohemi e as do të fshihemi. Nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime që dëmtojnë interesat kineze, atëherë Kina do të duhet të ndërmarrë hapa të domosdoshme dhe të nevojshme për t’u përgjigjur dhe mbrojtur interesat tona legjitime”, tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashme kineze.
Në janar, presidenti Trump vendosi tarifa mbi industrinë e paneleve diellore të dominuar nga kompanitë kineze.
Grupet tregtare që përfaqësojnë gjigandët amerikanë të shitjes me pakicë, si Walmart dhe kompanitë e teknologjisë, përfshirë Apple, paralajmërojnë se tarifat e reja do të rrisnin çmimet për konsumatorët në Shtetet e Bashkuara dhe mund të mos bëjnë sa duhet për të pakësuar deficitin tregtar.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Jeff Sessions po u bën thirrje prokurorëve federalë që të kërkojnë dënim me vdekje për disa raste që lidhen me drogat.
Direktiva e zotit Session, e përfshirë në një memorandum që ai i ka dërguar 93 prokurorëve, orjenton dënimin me vdekje për të ashtuquajtur “bosa të drogës”.
Po ashtu, atje theksohet kërkesa e Presidentit Trump për dënim me vdekje, si pjesë e fushatës së tij kundër epidemisë së opioideve në Shtetet e Bashkuara.
Ekzekutimet Federale janë diçka jashtëzakonisht e rrallë në Shtetet e Bashkuara, që nga viti 1960 ka patur vetëm tri të tilla.
Një debat në distancë mes Presidentit Donald Trump dhe ish nënpresidentit Joe Biden, të dy në të shtatëdhjetat, po i ngjan një zënke mes dy nxënësve adoleshentë për nga toni dhe përmbajtja.
Zoti Biden, i cili thuhet se synon të garojë kundër zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2020-s, u shpreh me këto fjalë të martën: “Më kanë pyetur nëse do të isha i gatshëm të dilja në debat me këtë zotëri dhe unë jam përgjigjur ‘Jo. Por, të isha në shkollë të mesme do ta kisha marrë prapa palestrës dhe do t’i kisha dhënë një dru të mirë.’”
Është hera e dytë që ai përdor një gjuhë të ngjashme ndaj rivalit të tij të mundshëm.
Presidenti Trump u përgjigj sot në Tweeter: “Joe Bideni i çmendur përpiqet të duket si burrë i fortë. Në fakt ai është i dobët, si mendërisht edhe fizikisht. E megjithatë më kërcënon për herë të dytë me sulm fizik. Ai nuk më njeh mua, por do të ishte rrëzuar shpejt dhe keq dhe do të ikte duke qarë. Mos i kërcëno njerëzit, Joe.”
Në Shtetet e Bashkuara, avokati kryesor që përfaqëson Presidenti Trump në hetimin që po zhvillohet nga Prokurori Special lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 2016-ës, ka dhënë dorëheqjen.
Ai është John Dowd, njëri nga avokatët kryesorë personalë të Presidentit. Ai citohet të ketë thënë se “unë e dua Presidentin dhe i uroj atij çdo të mirë”.
Largimi i zotit Dowd nga ekipi i avokatëve të zotit Trump vjen disa ditë pasi Presidenti shtoi në ekip një tjetër avokat, Joseph diGenova, i njohur për nxitjen e një strategjie ligjore më agresive në ekipin e juristëve të zotit Trump.
Administrata e presidentit te SHBA-se, Donald Trump nuk bere komente, as e ka pranuar dhe as e ka mohuar deklaraten e bere pak dite me pare nga shqiptari Peter Lumaj, republikani qe njoftoi se kishte refuzuar oferten e bere nga SHBA per te qene ambasadori amerikan ne Tirane.
“Nuk mund të komentojmë vendimet personale, që mund ose nuk mund të kenë ndodhur,” tha Helen Aguirre Ferre, drejtorja e Shtëpisë së Bardhë për çështjet e mediave.
Lumaj tregoi me entuziazëm interesin e administratës Trump dhe oferten qe i ishte bere teksa ishte ne nje aktivitet para komunitetit republikan të qytetit në West Hartford.
“Më be ofreta. Unë jam verifikuar”- tha Lumaj, duke refuzuar komentin e mëtejshëm, duke thënë se ai nxitonte per nje tjeter aktivitet.
Ai premtoi se do t’u përgjigjet pyetjeve te marten, duke u siguruar që gazetarët të kenë edhe numrin e tij të telefonit celular.
Por Lumaj nuk pranoi te pergjigjej as te marten e as nje dite me pas, duke këmbëngulur që të gjitha pyetjet të dërgoheshin me email. “Thjesht mi nismni me shkrim,” tha ai.
CT Mirror i dërgoi disa pyetje dhe mori kete pergjigje me një mesazh në celular.
“Administrata Trump kontaktoi me mua pas zgjedhjeve të 2016, për të parë nëse isha i interesuar për pozicionin dhe unë i refuzova. Procesi ishte një veting në vetvete. Nuk iu nënshtrova procedurave zyrtare, sepse nuk kisha asnjë interes për ta pranuar postin” shkruante Lumaj.
CT Mirror e përshkruan Donald Lu një diplomat karriere që njeh 7 gjuhë dhe që është i diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare. Duke komentuar Lumajn shkruan se ka një diplomë në juridik që e lejon të marrë pjesë në gjyqet e emigrantëve.
Stuhia e borës e cila në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme ka kapluar provincat verilindore të shtetit, ka ndikuar negativisht ne jetën e rreth 70 milionë vetëve
NEW YORK – 70 milionë amerikanë në rajonin verilindor të SHBA-ve janë ndikuar nga stuhia e borës, e cila po përjetohet për herë të katërt në tre javët e fundit.
Sipas mediave amerikane, stuhia e borës e cila në orët e mbrëmjes së ditës së djeshme ka kapluar provincat verilindore të shtetit, ka ndikuar negativisht ne jetën e rreth 70 milionë personave.
Stuhia dhe të rreshurat intensive të borës, të cilat mbrëmë filluan në Philadelphia dhe Washington, në orët e mëngjesit kanë arritur edhe në New York.
Në Washington sot qeveria federale dhe institucionet shtetërore ishin të mbyllura, ndërsa në tre qytetet u pezullua edhe mësimi shkollor.
Stuhia e borës ka shkaktuar ndërprerje në udhëtimet e metros në New York, ndërsa ka ndikuar negativisht edhe në transportin në provincën New Jersey.
– Vonesa në 25 mijë fluturime
Sipas të dhënave të FlightAware, kompani e cila ofron shërbime të fluturimeve, që nga nata e ditës së djeshme në rreth 25 mijë fluturime në SHBA kishte vonesa.
Sipas të dhënave, dje në vend kishte vonesa në 15 mijë fluturime, kurse 1 mijë e 100 fluturime janë anuluar.
Duke filluar nga ora 14.30 (sipas orës lokale) kishte vonesa në 9 mijë e 800 fluturime, kurse 4 mijë e 800 të tjerë u anuluan.
Në stuhitë e borës në verilindje të SHBA-ve në datat 3 mars, 8 mars dhe 13 mars ishin anuluar më shumë se 9 mijë fluturime, kurse 2 milionë persona kishin mbetur pa energji elektrike. aa
Presidenti amerikan Trump do të vendosë kufizime dhe tarifa doganore shtesë për Kinën me arsyetimin se ka vjedhur teknologjinë dhe sekretet tregtare të vendit të tij
UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump do të vendosë kufizime dhe tarifa doganore shtesë për Kinën me arsyetimin se ka vjedhur teknologjinë dhe sekretet tregtare të vendit të tij.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Trump në ora 17:30 do të njoftojë masat tregtare të cilat bartin cilësinë e një ndëshkimi ndaj “agresivitetit ekonomik të Kinës”.
Në kuadrin e hetimeve të nisura nga Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-ve (USTR) në gusht 2017, me arsyetimin se Kina vodhi teknologjinë dhe sekretet tregtare të SHBA-ve dhe shkeli të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive amerikane, përveç vendosjes së detyrimeve doganore shtesë për qindra produkte kineze, priten edhe disa kufizime për investimet e kompanive kineze në SHBA.
Me kufizimet e investimeve në fjalë, thuhet se SHBA-të synojnë të mbrojnë fushat e inteligjencës artificiale dhe zonat e teknologjisë mobile.
Zyrtarët të cilët kanë dhënë informacione në kushte anonime kanë theksuar se mund të arrijë gjithsej në 50 miliardë dollarë shuma e tarifave doganore që do të zbatohen ndaj shumë produkteve që nga pajisjet elektronike e deri tek këpucët e importuara nga Kina.
Ekspertët ndërkombëtarë të tregtisë potencojnë se deklarimi i masave të reja me objektiv Kinën mund të ngre shqetësime rreth “luftës tregtare” teksa ende nuk kanë përfunduar diskutimet mbi tarifat shtesë doganore të SHBA-ve për çelikun dhe aluminin.
Presidenti Trump bëri të ditur më 9 mars se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i tarifave doganore nga 10 dhe 25 për qind. aa
Shtëpia e Bardhë i ka dalë në mbrojtje bisedës telefonike që Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi dje me presidentit rus Vladimir Putin për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjedhje. Ndërkohë në një shkrim të gazetës “Washington Post” thuhej se ekipi i këshilltarëve të sigurisë e pati paralajmëruar zotin Trump që gjatë telefonatës, të mos e uronte zotin Putin për fitoren. Telefonata e së martës mes dy presidentëve përkoi me publikimin e gjetjeve të hetimit të kryer nga një komision i Senatit, sipas të cilit Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2016. Dje zoti Trump nuk i përmendi gjetjet e komisionit, por foli mbi nevojën për t’u takuar me zotin Putin për të diskutuar çështje me rëndësi globale.
Duke folur për gazetarët gjatë një takimi me një delegacion të Arabisë Saudite, presidenti Trump e vlerësoi bisedën e tij me zotin Putin si “shumë të mirë”.
“Patëm një bisedë shumë të mirë dhe mendoj se ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët për të diskutuar mbi garën e armatimeve, e cila po del jashtë kontrollit. Ne kurrë nuk do të lejojmë askënd që të disponojë diçka, qoftë edhe pranë asaj që kemi ne. Do të diskutojmë gjithashtu edhe për Ukrainën, Sirinë, Korenë e Veriut dhe çështje të ndryshme”.
Ndërkohë, komisioni i Zbulimit në Senat njoftoi se një hetim i kujdesshëm në çdo shtet provoi pa dyshim se Rusia është përpjekur të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.
“Rusia u përpoq të depërtojë në 21 shtete dhe ne dimë se ata ishin të suksesshëm të depërtonin në të paktën një bazë të dhënash të votuesve“, tha senatori republikan Richard Burr
Anëtarët e komisionit thanë se nuk gjetën prova për ndryshim të votave, qoftë dhe një të vetme, por sipas gjetjeve të hetimit shumica e shteteve kanë sisteme të vjetëruara votimi.
“Ka ende 40 shtete që veprojnë me pajisje zgjedhore më shumë se 10 vjet të vjetra dhe shumë prej pajisjeve kanë programe të vjetëruara, që nuk mund të përmirësohen edhe nëse do të vendosej të bëhej një gjë e tillë“, tha senatori demokrat Mark Warner.
Komisioni dypalësh bëri thirrje për modernizimin urgjent të sistemit dhe marrjen e masave të sigurisë për të parandaluar ndërhyrjen në zgjedhjet për Kongresin që mbahen më vonë gjatë këtij viti. Sipas tyre shtetet duhet të mbështesin votimin elektronik dhe me të dhëna në letër.
“Nuk kemi dyshim se Rusia dhe kundërshtarë të tjerë të huaj apo aktorë keqdashës do të vazhdojnë të vënë në shënjestër zgjedhjet tona në një përpjekje për të minuar demokracinë tonë“, tha senatori demokrat Martin Heinrich.
Dje Shtëpia e Bardhë tha se biseda miqësore e presidentit Trump me homologun e tij Putin nuk do të thotë se administrata do të jetë e butë përballë sjelljes së keqe të Rusisë.
“Ne kemi vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë dhe një numër gjërash të tjera, duke treguar qartësisht se cili është pozicioni ynë“, tha Sarah Huckabee sekretare e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.
Por ajo tha gjithashtu se presidenti beson në rëndësinë e ruajtjes së dialogut me Rusinë për çështje me rëndësi globale.
“Presidenti amerikan nuk mund të udhëheqë një botë të lirë duke përgëzuar fitoren e diktatorëve në zgjedhjet mashtruese”, tha McCain, në një deklaratë me shkrim
UASHINGTON – Senatori amerikan nga Arizona dhe ish-kandidati republikan për president, John McCain, ka kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump, për përgëzimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për fitimin e zgjedhjeve presidenciale në Rusi.
“Presidenti amerikan nuk mund të udhëheqë një botë të lirë duke përgëzuar fitoren e diktatorëve në zgjedhjet mashtruese”, tha McCain, në një deklaratë me shkrim.
Ai gjithashtu theksoi se biseda telefonike Trump-Putin është poshtëruese për njerëzit që janë “viktima” të zgjedhjeve në këtë vend.
“Trump, përmes bisedës telefonike me Putinin, ka poshtëruar çdo qytetar të Rusisë, i cili ishte i privuar nga e drejta e votës, duke përfshirë patriotët rusë që po protestojnë kundër regjimit të Putinit”, tha McCain.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, konfirmoi se e kishte përgëzuar Putinin për zgjedhjet presidenciale të dielën më 18 mars, duke shtuar se në të ardhmen e afërt do të takohet me Putinin. aa
Presidenti Donald Trump uroi presidentin rus Vladimir Putin për rizgjedhjen e tij gjatë një telefonate të martën dhe dy udhëheqësit ranë dakord të zhvillojnë bisedime së shpejti.
“Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve,” u tha Presidenti Trump gazetarëve përpara një takimi me princin e kurorës Mohammad bin Salman të Mbretërisë Saudite.
Ai tha se gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit”, por SHBA “nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë”. Çështje të tjera që do të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jenë Ukraina, Siria dhe Koreja e Veriut, shtoi Presidenti Trump.
Gjatë thirrjes telefonike, Presidenti Trump theksoi çnuklearizimin e Gadishullit Korean, diskutoi mbi gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar dialogun rreth “prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë kombëtare”, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Në një deklaratë zyrtare të bërë të martën nga Kremlini thuhej se Trump dhe Putin diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit në problemet e terrorizmit ndërkombëtar, në kufizimin e armëve bërthamore dhe për çështjet ekonomike.
Zoti Putin fitoi mandatin e tij të katërt në zgjedhjet presidenciale të së dielës me 77 përqind të votave.
Presidenti Trump nuk tha nëse kishte diskutuar mbi ndërhyrjen ruse në garën presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe mbi paralajmërimet e komunitetit amerikan të zbulimit se Moska vazhdon përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA.
Menjëherë pas komenteve të bëra nga zoti Trump në Zyrën Ovale, senatori republikan John McCain i Arizonës e kritikoi ashpër presidentin në Twitter.
“Një president amerikan nuk e udhëheq botën e lirë duke përgëzuar diktatorët për fitoren në zgjedhjet farsë”, shkruante McCain. “Duke vepruar kështu me Vladimir Putinin, Presidenti Trump fyen çdo qytetar rus të cilit iu mohua e drejta për të votuar në zgjedhje të lira dhe të drejta.”
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë fillimisht thanë se fitorja e Putinit nuk ishte befasi dhe se Shtëpia e Bardhë nuk kishte plane që zoti Trump t’i telefononte udhëheqësit rus për ta uruar.
Si përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov u tha gazetarëve: “Kjo nuk duhet të shihet si një hap jo miqësor. Putini mbetet i hapur për normalizimin e marrëdhënieve me partnerët tanë amerikanë, aty ku kjo është me interes dhe me rëndësi.” Ai shtoi: “Nuk ka asnjë arsye për ta bërë qimen tra këtu. Madje ekziston edhe një thënie e urtë: ‘Fli njëherë dhe mendoje përsëri kur të zgjohesh’”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shfrytëzuar mesazhin e tij vjetor drejtuar iranianëve dhe të tjerëve që kremtojnë Novruzin, Vitin e Ri persian, për të kritikuar qeverinë e Iranit dhe Gardën Revolucionare Islamike.
“Ju uroj Novruzin miliona njerëzve në mbarë botën që festojnë ardhjen e pranverës”, ka thënë Trump në mesazhin e tij.
Ai ka shtuar se beson se populli iranian është i damkosur nga “sundimtarët që i shërbejnë vetes së tyre në vend që t’i shërbejnë popullit”.
Trump e ka quajtur Gardën Revolucionare Islamike “ushtri armiqësore që brutalizon dhe vjedh nga populli iranianë dhe financon terrorizmin jashtë vendit”.
Ai ka thënë se kjo gardë ka shpenzuar mbi 16 milionë dollarë për të përkrahur qeverinë siriane dhe për të mbështetur grupet militane shiite në Siri, Irak dhe Jemen.
Gjuha e ashpër e përdorur nga Trumpi dallon nga viti i kaluar, kur në mesazhin e tij urues për kremtën e Novruzit, ai nuk kishte përmendur fare problemet politike.
Novruzi është festa kryesore në Iran, ku familjet atje festojnë së bashku. Kjo festë festohet edhe në vendet e tjera myslimane në mbarë botën.
Dy senatorë republikanë amerikanë debatuan të dielën lidhur me emërimin nga Presidenti Donald Trump të drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo për postin e Sekretarit të Shtetit dhe të nëndrejtores së CIA-s, Gina Haspel për drejtimin e agjencisë së zbulimit.
Nëse konfirmohet, zonja Haspel do të ishte drejtorja e parë femër në historinë 70 vjeçare të CIA-s.
Senatori Lindsey Graham i Karolinës së Jugut tha në CNN se parashikonte që si zoti Pompeo edhe zonja Haspel do të konfirmohen nga Senati. Ai nuk i dha rëndësi njërit prej kundërshtarëve të kandidaturave, senatorin Rand Paul të Kentakit si “një përjashtim” mes ligjvënësve republikanëve.
Senatori Paul, po në CNN, argumentoi kundër kandidaturës së Pompeos, duke thënë se ai mbështet ndryshimin e regjimit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në disa vende të huaja. Zoti Paul Rand tha se zonja Haspel ishte e lidhur me torturimin nga CIA të të dyshuarve për terrorizëm, në baza të fshehta në vende të huaja.
Paul tha se do të bënte të gjitha përpjekjet që t’i rrëzonte kandidaturat në senat, ku republikanët kanë një shumicë të ngushtë, 51-49.
Senatori Graham e përshkroi zonjën Haspel si “jashtëzakonisht të kualifikuar”, megjithëse e pranoi që ajo kishte mbështetur metodat e debatueshme për të nxjerrë informacion, përfshirë simulimin e mbytjes, ndaj të dyshuarve për terrorizëm pas sulmeve terroriste të vitit 2001. CIA nuk i lejon më këto teknika.
Senatori Paul tha se “Amerika nuk mbështet torturën. Tortura është simbol i totalitarizmit”.
Presidenti amerikan Donald Trump po sulmon Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller, duke e akuzuar atë për njëanshmëri politike në hetimin e tij për lidhjet e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të zotit Trump me Rusinë në vitin 2016 dhe për të përcaktuar nëse presidenti pengoi drejtësinë kur u përpoq të ndalte hetimin.
“Pse ekipi i Prokurorit Mueller ka 13 demokratë të betuar, disa përkrahës së Hillarisë mashtruese dhe asnjë republikan? Së fundmi u shtua edhe një demokrat tjetër … a mendon njeri se kjo është e drejtë? Megjithatë nuk ka pasur BASHKËPUNIM TË FSHEHTË”! tha zoti Trump në njërin prej disa komenteve të njëpasnjëshme në Twitter gjatë fundjavës, duke përmendur fitoren ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton dhe pakënaqësinë e tij ndaj hetimeve që po zhvillohen që nga ajo kohë.
Presidenti Trump la mënjanë faktin se të paktën gjatë një periudhe të caktuar zoti Mueller ishte i regjistruar si votues republikan dhe konsiderohet përgjithësisht në Uashington si një prokuror i paanshëm politikisht, hetimi i të cilit për fushatën e zotit Trump është mbështetur si nga demokratët ashtu edhe republikanë me peshë, të cilët në intervista të dielën shprehën miratimin për mënyrën se si po e kryen hetimin zoti Mueller.
Presidenti Trump sulmoi gjithashtu ish-drejtorin e FBI-së James Comey, që u shkarkua nga zoti Trump në maj të vitit të kaluar dhe ish-nëndrejtorin Andrew McCabe, që u pushua nga puna të premten në mbrëmje nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, me nxitjen e zotit Trump, 26 orë para ditës kur zoti McCabe do të dilte në pension, në momentin kur i plotësonte kushtet për të marrë pension të plotë. Presidenti Trump tha se shënimet personale të zotit Comey dhe zotit McCabe lidhur me bisedat e tyre me të, ishin të fabrikuara.
Presidenti Trump tha se kishte “shpenzuar shumë pak kohë me Andrew McCabe, por ai nuk kishte mbajtur kurrë shënimet kur kishin qenë bashkë”.
“Nuk besoj, tha ai, se McCabe kishte mbajtur shënime, përveçse për të mbrojtur interesat e tij, dhe ndoshta i kishte shkruar më pas. E njëjta gjë me gënjeshtarin James Comey. A mund t’i quajmë “shënime të rreme?”.
Zoti Sessions e shkarkoi zotin McCabe pasi ra dakord me një hetim të brendshëm të Departamentit të Drejtësisë sipas së cilin McCabe “i kishte dhënë informacion të paautorizuar medias dhe nuk kishte qenë i sinqertë, përfshirë nën betim, në disa raste”.
Zoti McCabe tha se zoti Comey ishte në dijeni për informacionin që ai I dha medias ndërsa shërbenin të dy si drejtues të FBI-së.
Ligjvënës dhe ish-zyrtarë federalë kanë reaguar ndaj shkarkimit të ish-nëndrejtorit të FBI-së Andrew McCabe të premten vonë nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions. Disa ligjvënës republikanë po mbështesin vendimin e Presidentit Trump, ndërsa disa ish-zyrtarë federalë e kritikuan atë.
Ish-drejtori i CIA-s John Brennan, i cili shërbeu nën ish-Presidentin Barak Obama, përmes një mesazhi në Twitter kritikoi hapur Presidentin Donald Trump.
“Kur të bëhet i ditur niveli i plotë i korrupsionit tuaj, i sjelljeve të turpshme morale dhe korrupsionit politik, ju do të merrni vendin e merituar si demagog i poshtëruar në arkivat e historisë. Ju mund t’i hidhni të gjitha mëkatet mbi Andy McCabe, por ju nuk do ta shkatërroni Amerikën … Amerika do të triumfojë mbi ju”, tha ai në shkrimin e tij në Twitter.
Denoncimi i Presidentit që erdhi vetëm disa orë pasi Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions shkarkoi ish nëndrejtorin e FBI-së Andrew McCabe për, siç thuhet, ndarjen e informacioneve përmes email-it me një gazetar mbi hetimin çështjes së përdorimit të emailit nga ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe se gënjeu hetuesit kur u pyet për këtë çështje.
“Ai u shkarkua sepse nxorri informacione që dëmtonin Hillary Clintonin. Kjo në thelb është arsyeja e heqjes të tij nga puna. Kjo nuk ka shumë kuptim për mua, por hakmarrja duket të jetë një nga arsyet kryesore të këtij vendimi”, tha konsulenti politik republikan, Mathew Dowd.
Në një mesazh në Twitter, Trump e quajti shkarkimin e zotit McCabe “një ditë të madhe për punonjësit e FBI-së, një ditë e madhe për Demokracinë. Moralizuesi James Comey ishte shefi i tij dhe e bënte McCabe-in të dukej si një fillestar.”
Edhe ish-drejtori i FBI-së, James Comey, reagoi ndaj shkarkimit të zotit McCabe.
“Zoti President, populli amerikan do të dëgjojë shumë shpejt historinë time. Dhe ata mund të gjykojnë vetë se kush është i ndershëm dhe kush nuk është”.
Comey muajin e ardhshëm do të fillojë turneun për librin e tij të ri mbi hollësitë e shkarkimit të tij nga Presidenti Trump.
Ligjvënësi republikan Bob Goodlatte i Virxhinias, megjithatë, lëshoi një deklaratë të shtunën, ku thoshte se veprimet e zotit McCabe kishin “dëmtuar” reputacionin e FBI-së.
Ish-nëndrejtori i FBI-së, Chris Swecker, i cili doli në pension në vitin 2006, tha në një koment për kanalin televiziv Fox News se shkarkimi i zotit McCabe “ishte i justifikuar për shkak se FBI ka zero tolerancë nëse gënjen nën betim”.
Në një deklaratë të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions të premten në mbrëmje, u njoftua shkarkimi i menjëhershëm i ish-nëndrejtorit të FBI-së, Andrew McCabe, për “shkelje në detyrë”.
“Bazuar në raportin e Inspektorit të Përgjithshëm, në përfundimet e Zyrës së FBI-së për Përgjegjësinë Profesionale, si dhe tek rekomandimi i zyrtarit më të lartë të karrierës në Departamentin e Drejtësisë, kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të Andrew McCabe”, thuhet në deklaratën e zotit Sessions.
Presidenti Donald Trump përshëndeti shkarkimin e zotit McCabe duke shkruajtur në Twitter: “Andrew McCabe u shkarkua, një ditë e madhe për punonjësit e FBI-së – një ditë e madhe për demokracinë. Moralizuesi James Comey ishte shefi i tij dhe e bënte McCabe-in të dukej si një fillestar. Ai dinte gjithçka rreth gënjeshtrave dhe korrupsionit në nivelet më të larta të FBI-së!”.
Zoti McCabe, ish-zyrtari i dytë më i lartë i agjensisë, pati paraqitur dorëheqjen më datë 30 janar, pasi ishte kritikuar publikisht nga Presidenti Donald Trump për njëanshmëri politike. Ai kishte planifikuar të dilte në pension këtë të dielë, në datëlindjen e tij, duke përfituar kështu edhe pension të plotë. Megjithatë tashmë që ai u shkarkua, mund t’i rrezikohet pjesërisht apo plotësisht marrja e pensionit.
Në një deklaratë të bërë pas njoftimit për shkarkimin, zoti McCabe u shpreh se “ky sulm ndaj besueshmërisë sime është pjesë e një përpjekje më të madhe jo vetëm për të më njollosur mua personalisht, por për të njollosur FBI-në, agjencitë e zbatimit të ligjit, si dhe profesionistët e shërbimeve të zbulimit në përgjithësi”.
Pas shkarkimit të Sekretarit të Shetit, Rex Tillerson të martën, shumë vende kanë filluar të kthejnë vëmendjen tek i emëruari i presidentit Donald Trump që do ta zëvendësojë atë, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Iranin, Korenë e Veriut apo Rusinë, analistët thonë se pikëpamjet e Mike Pompeos janë më të ngjashme me ato të Presidentit Trump sesa ato të zotit Tillerson, dhe ashtu si Presidenti, zoti Pompeo favorizon forcën ushtarake amerikane mbi diplomacinë.
Ndryshimi po vjen në politikën e jashtme amerikane, por bisedimet me Korenë e Veriut janë ende në rrugën e duhur. Rex Tillerson tha në fjalimin e tij lamtumirës pas shkarkimit nga detyra se kjo u arrit falë angazhimit të tij.
“Së pari duke punuar me aleatët, ne tejkaluam pritshmëritë e pothuajse të gjithëve me fushatën e presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut” tha zoti Tillerson.
Pasardhësi i tij i pritshëm, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, njihet për qëndrimet e tij më të ashpra në një sërë çështjesh të politikës së jashtme.
“Unë fola javën e kaluar për faktin se Koreja e Veriut është gjithnjë e më pranë aftësisë për ta vënë Amerikën në rrezik”, tha Drejtori i CIA-s.
Bazuar në deklaratat e tij të kaluara mbi Korenë e Veriut, Kinën dhe Iranin, shumica e analistëve thonë se Pompeo, një i diplomuar i Akademisë Ushtarake West Point, ka të ngjarë të mbështetet më shumë në forcën ushtarake amerikane dhe më pak në marrëveshjet ndërkombëtare sesa Tillersoni.
“Unë mendoj se Pompeo është më agresiv, më i ngjashëm me Trumpin, më afër asaj që unë e do ta quaja valë të re të nacionalizmit amerikan. Dhe ne po shohim se si vendet në të gjithë botën po bëhen më nacionaliste”, thotë analisti Ariel Cohen nga Këshilli Atlantik.
Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Pompeo mund të përballet shpejt me dy prova të mëdha: takimin e planifikuar Trump-Kim dhe afatin kohor për të ripërtërirë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin. Ligjvënësit demokratë dhe shumë ish diplomatë mendojnë se emërimi i Pompeot e bën më të mundshëm tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Iranit. Kjo, thonë ata, mund të rrezikojë takimin Trump-Kim.
“Nuk ka asnjë diskutim që tërheqja nga një marrëveshje e ligjshme që po funksionon, nuk do të krijonte avantazh në negociatat me Korenë e Veriut. Përkundrazi, kjo do të nxiste udhëheqësin e Koresë së Veriut të ngrejë pyetjen: ‘Si mund të nënshkruaj një marrëveshje me një President, i cili është i gatshëm të shkelë çdo marrëveshje të mëparshme?'”, tha ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman.
Në lidhje me Rusinë, Pompeo është treguar më i ashpër se sa Presidenti Trump, duke akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
“Është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur në lidhje me përfshirjen ruse në përpjekjet për vjedhur informacion dhe për të patur një ndikim në demokracinë amerikane”, tha Pompeo.
Analistët pajtohen se Mike Pompeo ka admirimin dhe respektin e Presidentit Trump. Kjo do t’ia lehtësojë atij punën nëse ai bëhet kryediplomati i ardhshëm i Shtetet e Bashkuara.