VOAL

VOAL

Kush ka të drejtë të kandidojë për President? Ja çfarë thotë Kushtetuta amerikane

VOA/Veronica Balderas Iglesias

Hedhja e dyshimeve ndaj rivalëve të tij politikë, nëse ata i plotësojnë kushtet për të kandiduar për President të Shteteve të Bashkuara, është një nga strategjitë kryesore të fushatës së zotit Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, kandidatja tjetër republikane, Nikki Haley është objekti i fundit i akuzave që kanë të bëjnë me kriteret që përcakton Kushtetuta se kush mund të kandidojë për president.

“Ajo nuk ka të drejtë të jetë presidente. Këtë e di shumë mirë”, tha ish Presidenti Trump për zonjën Nikki Haley ndërsa bënte fushatë në Ajova.

Ai i është rikthyer një taktike të njohur të fushatës, duke ngritur dyshime nëse rivalët kanë të drejtë ligjore të kandidojnë për president.

Këto taktika përfshijnë si keqinterpretimin e ligjit, ose hedhin dyshime mbi vendlindjen e kandidatëve.

Në janar, zoti Trump shpërndau në internet një artikull që pretendonte në mënyrë të rreme se rivalja Haley nuk kualifikohej sepse prindërit e saj indianë nuk ishin shtetas amerikanë në kohën e lindjes së saj.

Zonja Haley ka lindur në Karolinën e Jugut. Kushtetuta amerikane është e qartë se kush mund të bëhet President, shpjegojnë ekspertët.

“Kushtetuta kërkon që kandidati të jetë mbi 35 vjeç dhe të jetë i lindur brenda vendit. Të gjithë ata që kanë lindur në Shtetet e Bashkuara janë qytetarë me të drejtë kandidimi, pavarësisht nga statusi i imigrimit, apo shtetësisë së prindërve të tyre”, thotë Allan Richtman, Profesor i Historisë në Universitetin Amerikan.

Zonja Haley nuk është e para që është vënë në shënjestër nga zoti Trump. Ish-presidenti demokrat Barack Obama dhe rivalët republikanë të zotit Trump gjatë garës brenda partisë, në vitin 2016, Ted Cruz dhe Marco Rubio, ishin po ashtu objekt i këtyre akuzave dhe iu desh t’i përgënjeshtronin ato.

“Unë e di të sigurt se ku kam lindur dhe mendoj se shumica e njerëzve e dinin këtë”, thotë Barack Obama, ish-President i Shteteve të Bashkuara.

Ka një arsye pse vetëm ata që kanë lindur në SHBA kanë të drejtë të kandidojnë për President.

“Kjo shmang dyshimin se presidenti mund të jetë besnik ndaj ndonjë vendi tjetër, ose të ketë prirje që të veprojë kundër interesave amerikane”, thotë profesori i shkencave politike të Universitetit të Çikagos, Mark Hansen.

Ky kusht nuk pritet të hiqet nga kushtetuta.

“Ndryshimi kushtetues kërkon miratimin me dy të tretat e votave të të dy dhomave të Kongresit dhe më pas miratimin nga tre të katërtat e shteteve. Nuk kam parë asnjë kërkesë për të hequr, ose zbutur kushtin e nënshtetësisë sipas Kushtetutës”, thotë historiani Allan Lichtman nga Universiteti Amerikan.

Çdo qytetar i lindur në SHBA ka mundësi për të sfiduar akuzat se nuk kualifikohet për postin e Presidentit.

“Kundërshtimi mund të bëhet duke treguar certifikatën e lindjes. Pretendimet se ku kanë lindur fëmijët zakonisht mbështeten në një formë racizmi dhe ksenofobie dhe për këtë nuk duhet të ketë vend në politikën amerikane”, thotë Ravi Perry, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Howard.

Nikki Haley ka të drejtë të jetë presidente dhe i ka hedhur poshtë teoritë kundër, duke përfshirë edhe talljen me emrin e saj indian Nimarata, nga ana e zotit Trump.

“Unë nuk shqetësohem nëse është personale apo çfarë do të thotë ai me këtë”, thotë zonja Haley.

Ndërsa luftërat politike bëhen më të zjarrta, analistët inkurajojnë votuesit të mos bien pre e akuzave që kanë të bëjnë me vendin e lindjes së kandidatit dhe dezinformatave të tjera që lidhen me zgjedhjet presidenciale, duke njohur Kushtetutën dhe duke kontrolluar pretendimet e diskutueshme që qarkullojnë, në mënyrë që të marrin vendime të mbështetura në informacione të sakta, kur të shkojnë në qendrat e votimit në nëntor.

Ish-Presidenti Trump zotohet të shfuqizojë kufizimet për armët nëse fiton zgjedhjet

Ish Presidenti Donald Trump gjatë takimit të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve, Harrisburg, të Pensilvanisë, 9 shkurt, 2024.

VOAL/Marrë nga Reuters

Ish-presidenti Donald Trump, kandidati kryesor republikan në garën presidenciale të vitit 2024, tha të premten se nëse rizgjidhej në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shfuqizonte të gjitha kufizimet e armëve të miratuara nga Presidenti Joe Biden.

Duke folur para mijëra mbështetësve gjatë një takimi të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA), zoti Trump u zotua se do të anulojë një rregull që kufizon shitjet e aksesorëve të armëve dhe kufizime të tjera të vendosura nga administrata e Presidentit Biden.

“Sulmi i Bidenit ndaj pronarëve dhe prodhuesve të armëve do të përfundojë që gjatë javës së parë të rikthimit tim në detyrë, ndoshta që ditën e parë”, tha zoti Trump gjatë fjalimit të mbajtur në Harrisburg, të Pensilvanisë.

Shoqata Kombëtare e Armëve mbështeti fort zotin Trump gjatë garës së vitit 2016 dhe gjatë gjithë administratës së tij, duke e përkrahur kur emëroi tre gjyqtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë dhe kur miratoi një sërë masash të kërkuara nga lobi pro armëmbajtjes. Mes masave ishte edhe ai që i përcaktoi dyqanet e armëve të zjarrit si biznese thelbësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke i lejuar këto biznese që të qëndronin hapur.

Ish Presidenti Donald Trump gjatë takimit të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve, Harrisburg, të Pensilvanisë, 9 shkurt, 2024.

Ish Presidenti Donald Trump gjatë takimit të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve, Harrisburg, të Pensilvanisë, 9 shkurt, 2024.

Zoti Trump, ndër të tjera, vuri në dukje se si i rezistoi trysnisë për të vënë kufizime për armët gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë nga 2017-2021.

“Gjatë 4 vjetëve të mandatit tim nuk ndodhi asgjë, edhe pse ndaj meje kishte trysni të madhe lidhur me armët. Ne nuk bëmë asgjë, nuk u dorëzuam”, tha zoti Trump.

Republikanët vënë në shënjestër presidentin Biden për problemet me kujtesën

VOA/Patsy Widakuswara

Kundërshtarët republikanë të Presidentit amerikan Joe Biden po sulmojnë atë mbi problemet me kujtesën, pasi iu referua presidentit të Egjiptit si president i Meksikës, gjë që ka thelluar shqetësimet e demokratëve lidhur me moshën e tij.

“Biden nuk do të jetë më i mprehtë në nëntor”, i tha Zërit të Amerikës përmes një deklarate Jason Miller, këshilltar i lartë i fushatës së zotit Trump. Ekipi i fushatës së tij publikoi një deklaratë, duke thënë se “Joe Biden jo vetëm që shfaq shenja pleqërie, por ai rrezikoi sigurinë tonë kombëtare.”

Ish-Presidenti Donald Trump zotëron një epërsi në zgjedhjet paraprake në partinë republikane dhe ka gjasa të bëhet i emëruari i kësaj partie për president, përkundër faktit se mbi të rëndojnë 91 akuza për vepra penale në raste të ndryshme në nivel federal dhe në nivel shtetesh.

Fushata e kandidates tjetër republikane Nikki Haley, e cila renditet pas zotit Trump, lëshoi një deklaratë duke thënë se zoti Biden “duhet t’i nënshtrohet menjëherë një testi për aftësi mendore” dhe t’i bëjë përfundimet publike.

“Joe Biden nuk mund t’i mbajë mend ngjarjet madhore në jetën e tij, si për shembull kur shërbeu si nënpresident apo kur i vdiq djali,” deklaroi zonja Haley. “Është trishtuese, por do të ishte edhe më trishtuese nëse në Shtëpi të Bardhë kemi një person që nuk është në gjendje mendore të kryejë detyrën më të rëndësishme në botë.”

Republikanët filluan sulmet e tyre të reja pasi Presidenti Biden iu referua gabimisht të enjten në mbrëmje presidentit egjiptian Abdel-Farrah el-Sissi si “president i Meksikës” ndërkohë që po fliste për përpjekjet e tij për të siguruar ndihmë për banorët e Gazës.

Zoti Biden e bëri ngatërresën, ndërsa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve rreth raportit të prokurorit të posaçëm për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete që përfshin komente për vështirësitë e zotit Biden me kujtesën, duke cituar shembuj se si ai nuk ishte në gjendje të kujtonte momentet e rëndësishme të jetës së tij, sikur kohën kur ka shërbyer si nënpresident ose kur i vdiq i biri, Beau.

“Kujtesën e kam në rregull,” u përgjigj zoti Biden, dukshëm i acaruar ndërkohë që po mohonte se ka harruar se kur i ka vdekur djali. Beau Biden vdiq nga kanceri në tru në vitin 2015 në moshën 46 vjeçe.

Tre të katërtat e votuesve, përfshirë gjysmën e demokratëve, thonë se janë të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të zotit Biden, sipas një ankete të televizionit amerikan “NBC News” që u botua këtë javë.

Më pak se gjysma e votuesve shprehen të shqetësuar për shëndetin fizik dhe mendor të zotit Trump, sipas të njëjtës anketë, megjithë gabimet e tij të shumta. Gjatë një ngjarjeje të fushatës në fillim të këtij muaji, zoti Trump duket se gabimisht iu referua rivales së tij Haley si Nancy Pelosi, ish kryesueses së Dhomës së Përfaqësuesve ndërkohë që po fliste për ngjarjet e 6 janarit. Në të kaluarën ai ka ngatërruar zotin Biden me ish-Presidentin Barack Obama.

Prokurori i posaçëm Robert Hur vendosi të mos ngrejë padi ndaj zotit Biden për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete. Megjithatë, karakterizimet e prokurorit Hur mbi kujtesën e presidentit ka gjasa t’u japin municion rivalëve republikanë të zotit Biden në argumentimin e tyre se ai nuk është në gjendje të udhëheqë vendin.

Zoti Trump, i cili po përballet me një aktakuzë federale që përmban 37 vepra penale që lidhen me mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete, pengimin e drejtësisë dhe bërjen e deklaratave të rreme, sulmoi edhe më shumë zotin Biden për çështjen e dokumenteve sekrete.

Ai e quajti rastin e zotit Biden “100 herë më ndryshe dhe shumë më të rëndë se timin”, duke thënë përmes një deklarate të enjten se ekziston “një sistem me dy nivele të drejtësisë dhe ndjekjes penale jokushtetuese!” dhe se ka “ndërhyrje në procesin zgjedhor.”

Në raportin e tij, prokurori Hur iu përgjigj paraprakisht pohimeve të tilla.

“Në dallim nga provat ndaj zotit Biden, akuzat e ngritura në padinë e zotit Trump, nëse vërtetohen, paraqesin fakte rënduese serioze,” sipas raportit. “Në veçanti, për faktin se zotit Trump i janë dhënë mundësi të shumta për t’i kthyer dokumentet sekrete që t’i shmanget ndjekjes penale, por me gjasë ai ka bërë të kundërtën.”

Biden i zemëruar me prokurorin e posaçëm, këmbëngul se kujtesën e ka në rregull

VOA/AP dhe Reuters

Në një fjalim të befasishëm të enjten, Presidenti amerikan Joe Biden reagoi me zemërim ndaj një raporti të Prokurorit të Posaçëm, Robert Hur, i cili po hetonte mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete nga zoti Biden pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017.

Prokurori Hur e përshkruan në raport Presidentin Biden si “një burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Shtëpia e Bardhë akuzoi prokurorin Hur për përdorim të një “gjuhë shumë paragjykuese”, të papërshtatshme për Departamentin e Drejtësisë.

Presidenti Joe Biden nuk do të përballet me akuza për marrjen me vetëdije të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga posti i nënpresidentit më 2017, njoftoi prokurori i posaçëm Robert Hur të enjten, duke rrëzuar një çështe të rëndësishme kundër presidentit, ndërsa ai kërkon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Prokurori Hur shkruan në raport se vendimin për të mos ngritur akuza, e mori pas një hetimi 15-mujor, meqë zoti Biden ishte bashkëpunues dhe se do të ishte e vështirë që ai të dënohej.

Në raport ai e përshkruan presidentin si një “burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Ky vlerësim riktheu në qendër të vëmendjes shqetësimet e kahershme mbi moshën dhe kujtesën e Presidentit Biden.

Raporti e përshkruan kujtesën e demokratit 81 vjeçar si “të mjegulluar”, “të paqartë”, “të gabuar”, “të varfër” dhe me “mjaft kufizime”.

Në dokument thuhet se zoti Biden nuk mund të kujtonte momente të rëndësishme të jetës së tij, si për shembull vdekjen e djalit të tij Beau, ose koha kur ai shërbeu si nënpresident.

“Kujtesën e kam në rregull”, u përgjigj i zemëruar Presidenti Biden mbrëmjen e së enjtes në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë dhe mohoi të ketë harruar datën e vdekjes së djalit.

Beau Biden vdiq nga kanceri në tru më 2015, në moshën 46 vjeçare.

Megjithëse Presidenti Biden nuk do të përballet me akuza për keqpërdorim të dokumenteve sekrete, vlerësimet në raport mund të dëmtojnë mesazhin e zotit Biden për votuesit se ai është në gjendje të udhëheqë qeverinë dhe të mbrojë vendin.

Ndërsa zgjedhjet po afrojnë, votuesit kanë dyshime të mëdha për moshën e zotit Biden, pasi kanë parë gafat e tij, kollitjen, ecjen e ngadaltë dhe rrëzimet në paraqitjet publike.

Presidenti Biden tha se vlerësimet mbi kujtesën dhe vdekjen e djalit të tij “janë komente të parëndësishme” “nuk kanë vend në këtë raport”.

“Si dreqin guxon ta ngrejë këtë çështje?”, u shpreh zoti Biden.

“Sinqerisht, kur m’u bë pyetja, mendova me vete se nuk është puna e tyre. Në ditën përkujtimore ne organizojmë shërbesë për ta kujtuar atë, ku marrin pjesë miqtë, familja dhe njerëzit që e donin atë. Nuk kam nevojë për askënd, nuk kam nevojë që dikush të ma kujtojë se kur ai ndërroi jetë”, tha zoti Biden.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve mbi kujtesën e tij, Presidenti Biden tha se ai është “personi më i kualifikuar në vend për të qenë president dhe të përfundjë atë që ka nisur”.

Blinken thotë se armëpushimi është ende i mundur, megjithë qëndrimet shumë të ndryshme të Izraelit dhe Hamasit

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi i pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit janë ende të mundura, megjithëse se qëndrimet e të dyja palëve për kushtet kryesore për një marrëveshje janë shumë larg njëri-tjetrit.

Sekretari Blinken ishte në rajon në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje të tillë, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më herët hodhi poshtë propozimin e fundit të Hamasit për një armëpushim për lirimin e personave që ende mbahen peng në rajon.

Zoti Netanyahu përsëriti zotimin për shkatërrimin e Lëvizjen Islamike Palestineze, duke thënë se për Izraelin nuk ka alternativë tjetër, përveç eliminimit të Hamasit.

“E nesërmja është dita pas eliminimit të Hamasit. Të gjithë Hamasit”, tha ai në një konferencë për shtypin, duke këmbëngulur se fitorja e plotë kundër Hamasit ishte e vetmja zgjidhje për luftën në Gaza.

Në propozimin e Hamasit, i cili erdhi si përgjigje ndaj një propozimi të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti, kërkohet që luftimet të ndalen për katër muaj e gjysmë, periudhë gjatë së cilës të gjithë pengjet do të liroheshin, Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga Rripi i Gazës dhe do të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.

Sipas këtij propozimi pengjet do të liroheshin në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, përfshirë militantë të lartë.

Izraeli e ka bërë shkatërrimin e Hamasit një nga objektivat e tij kryesorë të luftës dhe propozimi i Hamasit do ta linte atë në pushtet në Gazë dhe do ta lejonte të rindërtonte aftësitë ushtarake.

Por sekretari Blinken e minimizoi qëndrimin e Izraelit, duke thënë se është pjesë e procesit të mundimshëm të negociatave dhe se gjërat nuk janë bardhë e zi.

“Ndërsa ka disa pika të papranueshme në përgjigjen e Hamasit, ne mendojmë se ajo krijon hapësirë për arritjen e marrëveshjes dhe ne do të punojmë pa pushim derisa të arrijmë në atë pikë”, tha ai në një konferencë për shtyp në Izrael.

Zoti Blinken po përpiqet të avancojë bisedimet e armëpushimit, ndërkohë që po paraqet një vizion për një zgjidhje më gjithëpërfshirëse të pasluftës, sipas së cilës Arabia Saudite do të normalizonte marrëdhëniet me Izraelin në këmbim të një “rruge të qartë, të besueshme për krijimin e një shteti palestinez”.

“Unë besoj se ekziston mundësia për një të ardhme shumë pozitive dhe të konsoliduar, që realisht integron Izraelin në rajon dhe u përgjigjet nevojave të tij për të jetuar në paqe dhe siguri dhe që gjithashtu u përgjigjet aspiratave të popullit palestinez”, tha ai më herët gjatë një talkimi me presidentin izraelit Isaac Herzog.

Por zoti Netanyahu që vazhdon të humbasë mbështetje në Izrael, është kundër një shteti palestinez dhe koalicioni i tij qeverisës i vijës së ashpër mund të dështojë nëse krijohet përshtypja se ai po bën shumë lëshime.

Akuza për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve, gjykata vendos se Trumpi nuk ka imunitet presidencial

Donald Trumpi nuk ka imunitet presidencial dhe mund të ndiqet penalisht me akuzat për komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ka vendosur një gjykatë amerikane sot.

Trumpi kishte pohuar në çështjen ligjore se ai ishte i imunizuar nga akuzat penale për aktet që ai tha se i përkisnin detyrave të tij si president.

Megjithatë vendimi i së martës në Uashington DC e rrëzoi këtë pretendim.

Kjo është një pengesë për Trumpin, i cili për vite me radhë ka përmendur imunitetin presidencial teksa po luftonte me drejtësinë në shumë raste.

Ish-presidenti pritet të apelojë kundër vendimit, që do të thotë se çështja mund të shkojë përfundimisht në Gjykatën e Lartë, ku konservatorët kanë një shumicë 6-3.

Prokurori i posaçëm i SHBA-së, Jack Smith, ka akuzuar Trumpin për komplot për të përmbysur fitoren e Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe për mashtrim për të qëndruar në detyrë.bw

Ambasadori Hill: Ditë e trishtë për gazetarinë -Përgjegjësia për vrasësit e gazetarit Slavko Ćuruvija mbetet e paprekëshme

Ka reaguar menjëherë Christopher R. Hill,  Ambasadori i SHBA në Beograd pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Serbisë që i ka liruar të premten katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në 11 prill të vitit 1999.

Ambasadori Hill është shprehur në Twitter: “Është dëshpëruese të shohësh se drejtësia dhe përgjegjësia për vrasësit e Slavko Ćuruvija mbeten të paprekëshme, edhe 25 vjet pas vrasjes së tij. Një ditë e trishtë për gazetarinë.”

 

Gjykata serbe i liron katër të akuzuarit për vrasjen e gazetarit Quruvija

 

Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviqin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

“Në mungesë të dëshmive të drejtpërdrejta dhe indirekte, të cilat në mënyrë gjithëpërfshirëse dëshmojnë se Markoviq, Radonjiq, Burak dhe Romiq janë fajtorë për këtë vepër penale, Gjykata e Apelit gjen se akuzat në aktakuzë nuk janë dëshmuar në mënyrë absolute”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Quruvija ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte.

Ai ishte kritik i madh i presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Gjykimi për vrasjen e tij nisi në qershor të vitit 2015 – gati 17 vjet pas vdekjes së tij.

Më 2019, Gjykata Speciale në Beograd i shpalli fajtorë për vrasjen e tij katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

Gjykata tha se vrasësi i drejtëpërdrejtë i tij ishte një person i panjohur.

Markoviq, ish-shef i Sigurimit Shtetëror (SSH), u dënua me 30 vjet burgim për nxitje të vrasjes së rëndë.

Radonjiq, ish-shef i qendrës së SSH-së në Beograd, po ashtu u dënua me 30 vjet burgim për vrasje të rëndë.

Ish-anëtarët e Sigurimit Shtetëror Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak u dënuan me nga 20 vjet burgim secili për vrasje të rëndë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit e rrëzoi atë vendim në shtator 2020, duke thënë se Gjykata Speciale i tejkaloi akuzat dhe e ndryshoi gjendjen faktike e përshkruar në aktakuzë duke e futur një person të panjohur si fajtorin e drejtpërdrejtë për vrasjen.

Në një rigjykim në dhjetor 2021, Gjykata Speciale e dha një aktvendim të ri, duke i dënuar përsëri Markoviqin dhe Radonjiqin me nga 30 vjet burgim secilin, ndërsa Romiqin dhe Kurakun me nga 20 vjet burgim secilin.

Në atë kohë, Reporterët Pa Kufi e mirëpritën vendimin si “një proces i brishtë në vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera kundër gazetarëve” në Ballkan.

Megjithat, Gjykata e Apelit në Beograd i shqyrtoi ankesat e të akuzuarve në dhjetor 2022, para se ta merrte vendimin e fundit të premten pasdite për lirimin e tyre.rel

Bardhi përfundon vizitën në SHBA, takim përmbyllës me kongresmenin Robert Aderholt: Sfidat i kemi tejkaluar me mbështetjen tuaj

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka zhvilluar takimin përmbyllës të vizitës zyrtare në SHBA me kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri.

Bardhi e ka falenderuar kongresmenin Aderholt që vazhdon të mbetet një zë i fuqishëm në mbrojtje të çështjes shqiptare, duke vlerësuar se interesi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar kërkon domosdoshmërisht ruajtjen e partneritetit strategjik me ShBA.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Vizitën në Washington DC e përfunduam me një takim falenderues në Kongresin Amerikan me kongresmenin Robert Aderholt, bashkëkryetar i grupit të miqësisë SHBA-Shqipëri. Kongresmeni Aderholt është një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Interesi i Shqipërisë dhe kombit shqiptar kërkon domosdoshmërisht ruajtjen e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sfidat e të gjitha kohëve i kemi tejkaluar bashkë dhe me sukses.

Hovenier: SHBA e kundërshton zbatimin e ngutshëm të rregullores së BQK-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – para se zbatimi i saj të jetë plotësisht e përgatitur.

Duke folur për gazetarë pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Hovenier tha se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, mund të nxisë tensione etnike në vend.

“Dua ta përsëris çka kanë thënë Shtetet e Bashkuara, ne kemi shqetësime të thella dhe rezerva për zbatimin e saj para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur. Mund ta them me siguri se ne e kundërshtojnë atë tani”, tha Hovenier.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të mërkurën se zbatimi i rregullores, e cila hyri në fuqi sot, për pagesat me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, pa treguar sa do të zgjasë kjo.

Hovenier tha se shpreson se Qeveria e Kosovës do ta gjejë një mënyrë “për ta kuptuar atë që e ka thënë Bislimi, që të ketë periudhë tranzicioni gjatë të cilës të kuptohen sfidat para se të zbatohet plotësisht [rregullorja]”.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

Hovenier shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ndalimi i dinarit mund të ketë te serbët e Kosovës.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, Banka Popullore e Serbisë (NBS) kërkoi shfuqizimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me dialog politik.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të bëhet fjalë” për një marrëveshje mes saj dhe Bankës Qendrore të Kosovës, siç sugjeroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”, tha NBS-ja, duke iu referuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja përmes një deklarate të lëshuar më 1 shkurt.

Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Nikki Haley: Trumpi dhe Bideni ‘pleq inatçij`, ata kanë kaluar prej kohësh kulmin e tyre politik

Kandidatja për nominimin presidencial të Partisë Republikane, Nikki Haley, i quajti rivalët e saj, ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe presidentin aktual Joseph Biden, “pleq inatçij”.

Haley vlerësoi se dy nga rivalët e saj “e kanë kaluar prej kohësh kulmin e tyre politik”, raporton Reuters.

Fushata e Nikki Haley (52) njoftoi sot se po lançon reklama dhe postime dixhitale që duhet të ngjallin dyshime për kapacitetet mendore të Trump dhe Biden.

Haley, ish-ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, beson se është koha “për një gjeneratë të re të udhëheqjes në Uashington”.

Ajo u bëri thirrje politikanëve mbi 75 vjeç që të testohen për aftësitë mendore.

Argumentet e saj mund të kenë jehonë në zgjedhjet e nëntorit, ku presidenti aktual i SHBA, i cili në atë kohë do të jetë 82 vjeç dhe Trump, kundërshtari i tij më serioz, ish-presidenti amerikan Donald Trump, i cili do të jetë 78 vjeç, ka shumë të ngjarë. përballen me njëri-tjetrin.sn

Anëtarët e Kongresit: SHBA duhet të mbështesë Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit të Rusisë, Kinës

VOA/Keida Kostreci

Anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën të mërkurën shqetësimin për ndikimin keqdashës të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Ata folën për këtë temë në një forum në Kongresin amerikan.

Pjesëmarrësit thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, si edhe kryesisht përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit.

Ata theksuan nevojën e forcimit të koordinimit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu folën për nevojën e integrimit të rajonit.

Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions një nga bashkëdrejtuesit dhe organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që përpiqet për destabilizimin e Ballkanit, dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformatat dhe forcë kur do që të realizojë synimet e saj.

“Destabilizimi i Ballkanit (nga Moska) është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata e shohin që jo vetëm po ndodh, por se ka përpjekje e qëllimshme për të minuar këto vende”, tha ai.

Zoti Sessions thotë se Shtetet e Bashkuara dhe organizma perëndimore duhet t’i mbështesin stabilitetin e rajonit.

“BE-ja, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuara dhe të thonë me forcë se ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë së bashku me to’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë me forcë në krah të tyre”, tha ai.

Kolegu i tij, anëtari republikan i Kongresit Robert B. Aderholt shprehu shqetësimin se fushata e Rusisë dhe Kinës për ndikim po rritet dhe për këtë arsye…

“… vendet e Ballkanit sot më shumë se kurrë janë jetike për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe duhet të ketë një qëndrim të unifikuar kundër ndikimeve negative”, tha ai.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarët e Kongresit Sessions dhe Aderholt, tha se është e dukshme që siguria është çështja kryesore në botë sot.

“Duket qartësisht se ka një lëvizje të Rusisë por edhe të Kinës, ndoshta dhe Iranit për të krijuar probleme në rajonin e Ballkanit, për të pasur një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga Ukraina”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Mediu shton se vetë vendet e Ballkanit që janë pjesëtare të NATO-s, duhet të ndërmarrin masa për të krijuar mekanizma parandaluese politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit.

“… Duhet të diskutojmë së bashku se cilat janë këto shqetësime dhe cilat janë zgjidhjet për Ballkanin Perëndimor. Po ta shikojmë se si veprojnë këto forca siç janë Rusia dhe Kina, e para është se ata përpiqen që të ndezin konflikte të reja, e dyta krijojnë një lloj status-quoje përsa i takon situatës, problemeve të pazgjidhura, të pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe të zgjerojnë influencën e tyre gjeoekonomike dhe gjeopolitike”.

Naz Durakoglu, ndihmës Sekretare e Shtetit për çështjet legjislative theksoi se Shtetet e Bashkuara janë tepër të shqetësuara për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, e para përmes infrastrukturës dhe e dyta përmes gazit dhe dezinformimit, dhe fokusi i tyre është kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne përdorim ndihmën e huaj për të ndihmuar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë.

Analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph, tha për Zërin e Amerikës se u kujtoi anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve amerikanë se sa i rëndësishëm është Ballkani…

“Ky rajon është është pjesë e strategjisë së Putinit. Ai dëshiron të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Evropën brenda vetes dhe Ballkani është një rrugë kryesore për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Zoti Joseph theksoi se për Moskën, ndikimi në rajonin e Ballkanit bëhet me një kosto të ulët por pasoja të mëdha dhe tha se Rusia ka ndihmën e Serbisë në përpjekjet e saj. Por ai tha se kartat janë në duart e Perëndimit për drejtimin e rajonit.

“Ne i mbajmë kartat, Perëndimi, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, këto të NATO-s. Është ndryshe nga Ukraina. Rusia është shumë larg për të sjellë forca tokësore. Anëtarët e NATO-s rrethojnë Ballkanin. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, duan t’i bashkohen NATO-s”, tha ai.

Në një kujtesë për situatën gjeopolitike ku është bota sot dhe të sfidave me të cilat përballet, përfaqësuesi i Ukrainës në këtë forum, deputeti Alex Goncharenko bëri thirrje për vazhdimin e ndihmës ndaj vendit të tij, në një kohë debatesh në Kapitol, ku procesi për miratimin e ndihmës së mëtejshme për luftën kundër Rusisë, ka ngecur.

Rifillojnë protestat në Serbi – opozita kërkon anulimin e zgjedhjeve të diskutueshme

VOA/Marrë nga Associated Press

Kundërshtarët e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç u mblodhën të premten në mbrëmje jashtë ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që zgjedhjet e muajit të kaluar të anulohen për shkak të parregullsive në shkallë të gjerë, që u raportuan nga vëzhgues lokal dhe ndërkombëtarë.

Grupi “Serbia kundër dhunës”, ka akuzuar qeverinë e presidentit Vuçiç për organizimin e një mashtrimi në votimet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit, veçanërisht në Beograd, kryeqytetin serb. Presidenti Vuçiç i ka mohuar akuzat.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e ka shpallur Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit fituese të zgjedhjeve dhe ka hedhur poshtë ankesat e opozitës. Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur ende për ankesat.

Politikani i opozitës Radomir Lazoviç tha se “kjo është një betejë e të gjithëve sepse të gjithë humbasin me këtë (keqpërdorim votash)”.

Rreth 2,000 protestues parakaluan gjithashtu drejt selisë së transmetuesit publik të Serbisë RTS, të cilin ata e akuzojnë për qëndrime pro qeveritare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve raportuan raste të blerjes së votave dhe mbushjes së kutive të votimit dhe thanë se zgjedhjet serbe përgjithësisht u mbajtën në “kushte të padrejta”.

Partitë e opozitës dhe vëzhguesit e pavarur lokalë të zgjedhjeve kanë pohuar se votuesit u dërguan me autobus në Beograd për të hedhur votat për partinë në pushtet, pasi u regjistruan në adresa false.

Mijëra veta protestuan për ditë të tëra në fund të dhjetorit, duke akuzuar presidentin Vuçiç për vjedhje votash. Policia përdori gaz lotsjellës dhe arrestoi dhjetëra veta pasi protestuesit u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit në një nga demonstratat.

Megjithëse presidenti Vuçiç thotë se dëshiron ta udhëheqë Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kritikët e akuzojnë udhëheqësin populist për imponimin e një autokracie duke marrë kontrollin mbi mediat kryesore dhe mbi të gjitha institucionet shtetërore.

Serbia duhet të forcojë sundimin e ligjit dhe liritë demokratike për t’u bërë anëtare e bllokut 27-vendesh.

Gjyqi për shpifje, Trumpi do t’i paguajë mbi 83 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll

VOA/Marrë nga Associated Press

Një juri gjyqësore në Nju Jork vendosi që ish-Presidenti Donald Trump t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll, për komente diskretituese ndaj saj, gjatë kohës që ishte president, në vitin 2019.

Zonjën Carroll e paditi zoti Trump për dëmtim reputacioni, duke e quajtur atë gënjeshtare, pasi ajo e akuzoi për përdhunim dekada më parë. Rastin, zonja Carroll e publikoi në një libër me kujtime, në të cilin shkruante se në vitin 1996, zoti Trump e përdhunoi në një dyqan luksoz të qytetit të Nju Jorkut.

Zoti Trump i cili ishte i pranishëm në pjesën më të madhe të gjyqit, por jo për të dëgjuar vendimin, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se do ta apelojë atë.

Në muajin maj të vitit të kaluar një tjetër juri e shpalli zotin Trump fajtor për abuzim seksual dhe e urdhëroi atë të paguante 5 milionë dollarë. Zoti Trump e ka apeluar vendimin.

Gjyqi i dytë për shpifje, lidhet me komentet e zotit Trump ndaj zonjës Carroll, kur ai ishte president dhe juria do të përcaktonte vetëm sa para do të duhej t’i paguante zoti Trump shkrimtares. Bëhet fjalë për dy deklarata që ai kishte bërë, si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve, referuar pjesëve nga libri me kujtime i shkrimtares Carroll.

Ish-presidenti vazhdon të këmbëngulë se akuzat ndaj tij janë të rreme.

Vendimi u dha të premten nga një juri prej 9 anëtarësh, shtatë burra dhe dy gra. Zoti Trump mori pjesë rregullisht në seancat e procesit të dytë gjyqësor. Por sot ai u largua papritur nga salla ndërsa avokatja e zonjës Carroll po mbante argumentet përfundimtare. Më pas ai u kthye për të dëgjuar argumentet mbyllëse të avokates së tij.

Zoti Trump nuk mori pjesë në gjyqin e parë ndaj tij. Më vonë ai shprehu keqardhje dhe këmbënguli të dëshmonte në gjyqin e dytë, por gjykatësi e kufizoi ish-presidentit, duke thënë se ai e kishte humbur rastin për të argumentuar se ishte i pafajshëm.

Të enjten, një ditë para vendimit të jurisë, zoti Trump u ul vetëm për disa minuta në karrigen e dëshmitarit, kohë gjatë së cilës ai mohoi të kishte sulmuar zonjën Carroll, më pas u largua nga gjykata duke thënë: “kjo nuk është Amerika”.

Gjatë argumenteve përmbyllëse avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan, i kërkoi jurisë që ta ndëshkonte zotit Trump aq sa duhej, në mënyrë që siç tha ajo të ndalej një rrjedhë e vazhdueshme deklaratash publike, që kanë njollosur zonjën Carroll duke e etiketuar atë si gënjeshtare.

Ishte ky momenti që zoti Trump doli nga salla e gjyqit. Po sot gjykatësi i çështjes paralajmëroi se do ta dërgonte në burg avokaten e zotit Trump, Alina Habba, për shkak se ajo vazhdonte të fliste edhe pse ai e kishte njoftuar se koha e saj kishte mbaruar. Avokatja Habba iu bind kërkesën së gjykatësit.

Vendimi i së premtes i jurisë vjen ndërsa zoti Trump po shkon drejt fitores për të tretën herë radhazi në garat paraprake për president. Ai ka kërkuar t’i kthejë proceset ndaj tij në një avantazh, duke i cilësuar ato si dëshmi të një sistemi që po përdoret politikisht kundër tij.

Megjithëse nuk ka asnjë provë që Presidenti Joe Biden ose dikush në Shtëpinë e Bardhë të ketë ndikuar në ndonjë nga rastet ligjore kundër tij, linja e argumentimit të zoti Trump, ka rezonuar me mbështetësit e tij më besnikë, të cilët i shohin proceset me skepticizëm.

Trump dhe Haley përballen sot kokë më kokë në Nju Hempshir

Votuesit në Nju Hempshir do të votojnë të martën për rrethin e parë të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, teksa ish-presidenti amerikan, Donald Trump përballet me kundërshtaren e tij republikane Nikki Haley.

Ish-presidenti Trump shpreson që të mposhtë ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, dhe ish-ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Haley, në anën tjetër, ka shpresë që votuesit e pavarur do t’i ndihmojnë për të fituar garën.

Kjo është gara e dytë që zhvillohet në mesin e republikanëve, pas fitores së Trumpit në Ajova, javën e kaluar.

Kushdo që fiton nominimin do të përballet më pas me një demokrat – ka mundësi të jetë presidenti aktual, Joe Biden – në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Edhe demokratët do të votojnë të martën në rrethin e parë të zgjedhjeve në Nju Hempshir, mirëpo për shkak të mospajtimeve mes zyrtarëve partiakë lokalë dhe atyre në nivel kombëtar, Biden është presidenti i parë në detyrë, emri i të cilit nuk është në fletën e votimit.

Gara për nominimin e republikanëve është ngushtuar në dy të dielën, pasi guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, i ka dhënë fund fushatës dhe i është bashkuar kampit të Trumpit.

Ai është vetëm njëri prej dhjetëra konkurrentëve republikanë që i kanë dhënë fund garës për president.

Shumë mbështetës së DeSantisit, besojnë se Trumpi është kandidati ideal i republikanëve për president.

Trump, 77-vjeçar, ka thënë të hënën në Nju Hempshir që “nëse dëshironi një kandidat humbës që vendos Amerikën në rangun e fundit, votojeni Nikki Haleyn”.

Haley, 52-vjeçare, ka thënë se Trump është i preokuuar me paditë civile dhe penale që rëndojnë mbi të.

Vetë Trump i hedh poshtë të gjitha akuzat, duke thënë se janë ndërtuar mbi baza politike.

Secili banor në Nju Hempshir mund të votojë dhe ky shtet konsiderohet më i moderuar, në krahasim me Ajovën tejet konservatore.rel

Votuesit në Nju Hempshër mund të befasojnë në zgjedhjet paraprake të së martës

Qytetarët presin në radhë për një tubim zgjedhor të ish presidentit Donald Trump, në Nju Hempshër.

VOA/Caroly Pressuti

Gara paraprake në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane do të zhvendoset të martën në shtetin Nju Hemshër.

Interesi mbi zgjedhjet në këtë shtet të vogël në verilindje të Shteteve të Bashkuara është shtuar pasi largimit të gara të guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, duke e kthyer garën mes republikanëve, në një përballje mes dy kandidatëve.

Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, njofton nga Nju Hemshëri, se si ky shtet, që i njeh vetes meritën se është i pavarur dhe del jashtë rregullave, mund të ofrojë shumë të papritura.

Që një kandidat t’i jepte fund fushatës presidenciale disa orë para garës paraprake, nuk ishte diçka që pritej. Por, ja që, ky është shteti i pazakontë i Nju Hemshërit. Komiteti Kombëtar i Demokratëve vendosi që zgjedhjet paraprake të fillojnë me Karolinës së Jugut në shkurt dhe jo Nju Hempshërit, shtet nga ku historikisht kanë nisur garat e këtij lloji. Karolina e Jugut njihet për larmishmërinë e elektoratit.

 

“Njerëzit kanë thënë se do ta anashkalojnë këtë gjë dhe do të mbështesin Joe Bidenin sepse të gjithë e dimë se republikanët do të emërojnë Donald Trumpin dhe gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për të shpëtuar demokracinë është që të ndalim Donald Trumpin,” shprehet Kathy Sullivan, ish kryetare e degës së Partisë Demokrate në Nju Hempshër.

Të zemëruar, zyrtarët e partisë demokrate të shtetit të Nju Hempshërit, vendosën t’i mbajnë zgjedhjet gjithësesi. Ndërkohë mbështetësit e Presidentit Joe Biden, filluan një fushatë, përmes së cilës, e shtonin vetë, emrin e tij në fletët e votimit, duke i dhënë përkrahje për garën.

Ray Buckley, i cili drejton tani degën e Partisë Demokrate në Nju Hempshër, nuk do të votojë të martën Presidentin Biden.

“Që kur jam zgjedhur në këtë detyrë, sa herë kam votuar, kam shkruar emrin e ish presidentit Jimmy Carter, për të dëshmuar se jam tërësisht i paanshëm”, shprehet Ray Buckley,kryetar i degës së Partisë Demokrate në Nju Hemshër.

 

Komiteti Kombëtar i Demokratëve vendosi që të mos ishte më Nju Hemshëri, shtet nga ku historikisht kishin nisur garat paraprake, por që zgjedhjet të fillonin nga Karolina e Jugut, me elektorati është më i larmishëm.

Të zemëruar, zyrtarët e partisë demokrate në këtë shtet, vendosën të mbanin zgjedhjet paraprake gjithsesi, dhe mbështetësit e Presidentit Joe Biden, filluan një fushatë, përmes së cilës, e shtonin vetë, emrin e tij, në fletët e votimit, duke i dhënë përkrahjen për garën.

Nga pala republikane, merr jetë një tjetër lloj drame. Në një mot me erë të fortë dhe me temperaturë deri minus 10 gradë Celcius, njerëzit presin në radhë, 4 orë para se të fillojë tubimi i ish presidentit Donald Trump.

“E duam Trumpin, ai lufton për ne”, shprehet Derek Levine, votues në Nju Hempshër.

“Sa luftëra kishim kur ai ishte President? Të gjithë ishin të lumtur, të gjithë po fitonim para”, shprehet Dee Boisvert, një tjetër votues.

Ish Presidenti Donald Trump po tërheq mbështetës në tubimet e tij dhe anketat tregojnë se në mesin e votuesve në Nju Hempshër përkrahja për të është mbi 50 për qind. Sipas një ankete të gazetës “Boston Globe”, ish ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley përkrahet nga rreth 35 për qind e të anketuarve.

“Ajo duhet të më bind që ta votoj, jam mendjehapur dhe po pres çfarë do të thotë”, shprehet votuesja Denise Montminy.

Si Denise Montminy, e cila pret në radhë për të dëgjuar zonjën Haley, ka shumë votues të tjetrë të pavarur, ose demokratë, të cilët të martën, mund të votojnë për një kandidat republikan.

“Dëshiroj që prej saj të dëgjoj një retorikë më pak luftë-nxitëse lidhur me Ukrainën dhe konfliktin izraelito-palestinez”, shprehet Isaac Geer, votues i pavarur.

Analistët thonë se republikanët e Nju Hempshërit, të cilët janë të interesuar për taksa të ulëta dhe një administratë shtetërore të vogël, mund të jenë shansi i fundit i zonjës Haley për ta ndalur ish presidentin Trump.

“Nëse nuk arrin sukses në një shtet si ky, atëherë mendoj se duhet pyetur, cili është hapi i radhës? Cili është shteti ku ajo ka një mundësi të fitojë ndaj zotit Trump, dhe lista e shteteve ku mund të ndodhë një gjë e tilllë është shumë, shumë e vogël, shprehet Chris Galdieri, nga Kolegji St. Anselm

Për të kuptuar nëse votuesit e Nju Hempshër do të befasojnë, duhet pritur mbrëmja e së martës.

Çfarë ndodh nëse Biden ose Trump tërhiqen nga gara për president para zgjedhjeve?

VOA/Patsy Widakuswara

Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump janë drejt një përballjeje tjetër në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Por, sfidat ligjore të ish Presidentit Trump dhe mosha e të dy kandidatëve mund të ndikojnë fushatën presidenciale. Ekspertët theksojnë se tërheqja e kandidatëve kryesorë nga gara për president do të çonte në procese të ndërlikuara për zëvendësimin e tyre.

Ish Presidenti Donald Trump përballet me 91 akuza penale dhe të paktën njëri nga gjyqet mbi këto akuza pritet të zhvillohet këtë vit.

Problemet shëndetësore mund të ndikojnë tek Presidenti Joe Biden, i cili është 81 vjeç.

“Në shtyp flitet për moshën e zotit Biden, por jo atë të zotit Trump”, tha Presidenti Biden.

Ish Presidenti Trump është 77 vjeç.

“Në nëntor do të kemi një ditë të madhe sepse do ta rimarrim drejtimin e vendit”, tha Presidenti Trump.

Por çfarë ndodh nëse njëri nga kandidatët vdes ose për arsye shëndetësore nuk mund të vazhdojë fushatën para zgjedhjeve të nëntorit?

Nëse kjo ndodh para kuvendeve kombëtare të dy partive, disa shtete mund të shtyjnë datën e zgjedhjeve paraprake për të lejuar hyrjen e më shumë kandidatëve në garë.

Kandidatët për president të secilës parti shpallen në kuvendet e tyre kombëtare. Kuvendi kombëtar i republikanëve do të mbahet në korrik ndërsa ai i demokratëve në gusht. Nëse kandidati që kryeson garën tërhiqet dhe asnjë kandidat tjetër nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, atëherë delegatët e partisë mund të zgjedhin dikë tjetër.

“Delegatët do të kenë shumë liri për të negociuar. Ata ndoshta mund të zgjedhin një kandidat që nuk ka marrë pjesë në fushatën e zgjedhjeve paraprake. Kjo ka ndodhur në vendin tonë. Por, kjo do të varet nga kuvendet kombëtare të partisë republikane dhe asaj demokrate”, tha për Zërin e Amerikës John Fortier nga Instituti “American Enterprise”.

Nëse kandidati që i fiton zgjedhjet paraprake tërhiqet pas kuvendit kombëtar, atëherë partitë mblidhen sërish për ta zëvendësuar atë dhe kjo nuk garanton zgjedhjen e një kandidati për nënpresident.

Edhe nëse kjo ndodh pas zgjedhjeve procesi është i njëjtë. Për shembull, edhe nëse Presidenti Biden i fiton zgjedhjet por nuk mund të fillojë mandatin e ri presidencial, nënpresidentja Kamala Harris nuk do ta zëvendësonte atë në mënyrë automatike, elektorët e shteteve do të duhej të votonin sërish për të zgjedhur presidentin.

Por çfarë ndodh nëse ata nuk arrijnë ta bëjnë këtë?

“Në këtë pikë, nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën, procesi kalon në Dhomën e Përfaqësuesve. Zgjedhjet do të përfundonin në një proces që nuk ka ndodhur për qindra vite”, thotë Michael Thorning, drejtor i Demokracisë Strukturore në Qendrën e Politikave Dypartiake.

Nëse Presidenti i zgjedhur vdes pas çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve më gjashtë janar, nënpresidenti ose nënpresidentja e zgjedhur inaugurohet në postin e Presidentit të vendit.

Secili nga këta skenarë do të çonte në një proces shumë të ndërlikuar, që do të mund të zvarritej më tej nga gjykatat, nëse do të kishte kontestim të rezultatit të zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh sulmin në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump më 6 janar 2021, një proces i tillë do të mund të shoqërohej sërish me veprime të dhunshme.

Montgomery: Blerja e sistemit të përparuar Javelin, vendim i duhur

Mark Montgomery, admiral në pension i forcave detare amerikane

VOA/Garentina Kraja

Autoritetet në Kosovës dhe zyrtarët amerikanë konfirmuan javën e kaluar se Kosova është në proces të blerjes së 246 raketave Javelin.

Kërkesa e Kosovës, pritet të shqyrtohet tani nga Kongresi amerikan, që jep miratimin përfundimtar për shitjen e armëve vendeve të huaja.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë shprehur se synimi kësaj blerje ushtarake është përmirësimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç reagoi duke thënë se me armatimin e mëtejshëm të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga vendet e NATO-s, po synohet jo vetëm largimi i gjurmëve të Serbisë në Kosovë por edhe largimi i serbëve nga atje.

Mark Montgomery, drejtor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Washington, admiral në pension i forcave detare amerikane, ka një përvojë të gjatë me ushtrinë me amerikane.

Mark Montgomery, admiral në pension i forcave detare amerikane gjatë intervistës për Zërin e Amerikës

Mark Montgomery, admiral në pension i forcave detare amerikane

Ai ka shërbyer si drejtor politikash në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, kur ai drejtohej nga Senatori John McCain, si dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Evropë, përgjegjës për planifikimin dhe strategjinë. Vendimi për të siguruar raketat Javelin, thotë ai “është i menduar mirë”.

“Për të miratuar një kërkesë të tillë duhet shumë planifikim dhe përpjekje ndërinstitucionale, që do të thotë se ana politike, ekonomike dhe ushtarake e vlerësimit të qeverisë amerikane rreth Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, u pajtuan që kjo është gjëja e duhur për të bërë,” thotë zoti Montgomery.

Zoti Montgomery thotë se mesazhi që përcillet me shitjen e sistemit të përparuar Javelin për Kosovën ka synime diplomatike.

“Ne e dimë se duam t’i sigurojmë Kosovës pajisje të nevojshme për të krijuar stabilitet brenda kufijve të saj nga çfarëdo përdorim force nga jashtë. Sistemi ‘Javelin’ është një armë e përsosur, sepse është një armë fantastike mbrojtjeje për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës,” shton ai.

Sipas zotit Montgomery, sistemi Javelin, i cili u bë i famshëm nga përdorimi në Ukrainë, në përballjen me sulmin e Rusisë, është i efektshëm, si në aspektin parandalues ashtu edhe në atë buxhetor dhe në rrafshin strategjik, është hapi i duhur. Raketat Javelin, thotë zoti Montgomery, janë një nga sistemet më të kërkuara të arsenalit ushtarak amerikan – ato po kërkohen nga Ukraina, nga shumë shtete të Evropës Lindore dhe shtetet e Baltikut, si dhe nga Tajvani e Rumania.

“Mendoj se ky sistem bën ndryshimin, jo sa i përket kapacitetit për të bërë diçka dramatike, por si një sistem mbrojtës. Vlerësimi i Shteteve të Bashkuara është se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara. Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm, që do të thotë se ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që ju duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial, se Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm,” thotë zoti Montgomery.

Zoti Montgomery, i cili ka punuar në dekadat e fundit në kapacitete të ndryshme me shtetet e Ballkanit, vlerëson se pajisja e Forcave të Armatosura të Kosovës me raketat Javelin, që ndodh në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik në Evropë për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe tensioneve në Ballkan, përfshirë incidentet si në Banjskë, të cilat ai i sheh të ndërlidhura me ndikimin rus dhe përkrahjen e Serbisë, po bëhet edhe si pjesë e një strategjie dalëse të NATO-s nga roli paqeruajtës në Kosovë.

Sipas tij, “Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim dhe kaos në mënyrë që ta largojë vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë dhe në këtë aspekt ata janë ndihmuar edhe nga parteri i tyre tradicional Serbia.”

Ai thotë se NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë “një punë të shkëlqyer” në vendosjen e qëndrueshmërisë në rajon, përfshirë anëtarësimin e shumicës së shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia në NATO, por Kosova, sipas tij, mbetet një çështje ende e papërfunduar, për shkak të qëndrimit të Serbisë, e cila ndihmohet nga Rusia. Rusia këtë vit, sipas zotit Montgomery do të provojë të “krijojë kaos” në vende si Moldavia, në shtetet e Baltikut dhe ndoshta edhe në Ballkan.

“Puna jonë është të vazhdojmë të krijojmë stabilitet në Kosovë, të sigurohemi që Forcat e Armatosura të Kosovës kanë pajisjet e duhura për të siguruar një ambient të sigurtë për veten. Është e drejtë të thuhet se forcat e NATO-s kanë qëndruar në Kosovë shumë më gjatë nga sa ishte planifikuar fillimisht dhe ende nuk besoj se ekziston një afat përfundimtar për to. Dhe afati i largimit të tyre është vështirë të përcaktohet nëse nuk ekziston një forcë e aftë, e qëndrueshme që mund të krijojë një mjedis të sigurtë në Kosovë,” shtoi ai.

Zoti Montgomery thotë se është e vështirë të parashikohet një shpërthim i ri i dhunës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por shton se mundësia ekziston meqë kjo është çështje e pazgjidhur mes palëve, dhe varet nga qëndrimi i Serbisë, në se do të nxisë apo jo tensione.

Trumpi fiton zgjedhjet partiake në Ajova

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shënuar fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Ajova, përderisa la shumë prapa rivalët e tij, një fitore që e çon më afër fitimit të nominimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Në votimet, ku pjesëmarrja ishte më e ulëta në çerek shekullin e fundit, pjesëmarrësit votuan në kushte të rënda atmosferike. Votimet brendapartiake u mbajtën në qindra shkolla, kisha dhe qendra të komunitetit në mbarë Ajovën.

Trump fitoi 30 pikë, duke thyer rekordin e zgjedhjeve brendapartiake në Ajova, pasi më 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli i dyti, ndërkaq e treta ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Rezultatet në Ajova i japin shans të mirë Trumpit për të fituar nominimin e republikanëve, edhe pse do të duhen edhe disa muaj që njëri nga kandidatët zyrtarisht të bëhet i nominuar për president nga kjo parti.

Përderisa në muajt e fundit është zotuar për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë, Trump në fjalimin e tij përcolli mesazh të unitetit.

“Ne duam të bashkohemi, qoftë nëse jeni republikan, demokrat, liberal apo konservator. Ne do të bashkohemi. Kjo do të ndodhë së shpejti”, tha ai.

Tani gara brendapartiake në mesin e republikanëve do të zhvendoset në Nju Hempshajër, ku do të zhvillohen votime më 23 janar.

Ndërkaq, në Karolinën e Jugut më 24 shkurt do të mbahen votimet, të cilat mund të jenë shumë të rëndësishme. DeSantis të martën zhvilloi fushatë atje.

Haley ndërkaq, pritet të mbajë fushatë në Nju Hempshajër, ku shpreson që të jetë e suksesshme për të fituar mbështetjen e votuesve të pavarur.

Votimi në Ajova ishte i fshehtë.

Demokratët në Ajova, ndaras, në këtë cikël zgjedhor do të zgjedhin kandidatin e tyre për president duke votuar krejtësisht përmes postës. Rezultatet do të publikohen më 5 mars, gjatë Super të Martës.rel

SHBA, Sekretari i Mbrojtjes Austin del nga spitali

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin doli të hënën nga spitali, pasi kaloi dy javë për t’u trajtuar për shkak të komplikimeve pas një operacioni për kancerin e prostatës, gjë të cilën ai e mbajti të fshehtë dhe nuk ia tha as drejtuesve të lartë të administratës dhe as personelit i tij, për ditë të tëra.

Zoti Austin do të punojë nga shtëpia derisa të marrë veten plotësisht. Mjekët thanë se “gjendja e tij shëndetësore u përmirësuar ndjeshëm gjatë qëndrimit në spital”. Në deklaratë thuhej gjithashtu se kanceri ishte kapur e trajtuar në kohë dhe se prognoza e zotit Austin është “e shkëlqyer”.

Në një deklaratë, zoti Austin falenderoi personelin mjekësor dhe tha se “mezi po priste të shërohej plotësisht e të kthehej sa më shpejt të ishte e mundur në Pentagon”.

Më 22 dhjetor Sekretari Austin, shtatëdhjetë vjeç, iu nënshtrua një operacioni për kancesin e prostatës në Qendrën spitalore Ushtarake Kombëtare Walter Reed. Sëmundja u diagnostikua në fillim të dhjetorit gjatë një kontrolli rutinë. Por një javë më vonë, më 1 janar, për shkak të një infeksioni pas operacionit, zoti Austin u shtrua në spital në repartin e kujdesit intensiv.

Presidenti Joe Biden dhe zyrtarët e lartë të administratës mësuan mbi shtrimin e zotit Austin më 4 janar. Po kështu zoti Austin mbajti të fshehtë faktin se ishte diagnostikuar me kancer, deri më 9 janar. Presidenti Biden ka thënë se dështimi i zotit Austin për t’i treguar atij për shtrimin në spital ishte një gabim në gjykim, por nga ana tjetër ai tha se ka ende besim tek shefi i Pentagonit.

Gjatë kohës që zoti Austin ishte i shtruar në spital, në fund të javës së kaluar, Uashingtoni nisi një seri sulmesh ushtarake, ndaj grupit rebel Houthi të mbështetur nga Irani. Sulmet kishin si objektiv me dhjetëra vendndodhje të grupit të lidhura me fushatën e tij të sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Zoti Austin koordinoi lëvizjet e Pentagonit nga spitali.

Megjithatë mungesa e transparencës në lidhje me shtrimin në spital të zotit Austin, ka nxitur një proces rishikime të procedurave të administratës dhe Departamentit të Mbrojtjes mbi njoftimin e Shtëpisë së Bardhë apo edhe zyrtarëve të tjerë, në rastet kur një anëtar i kabinetit duhet të transferojë autoritetin vendimmarrës tek zëvendësi i tij.

Çështja nxiti gjithashtu kritika nga anëtarët e Kongresit në të dy anët e politikës. Ligjvënësi republikan Mike Rogers, kryetari i Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje. Të tjerë ligjvënës kërkuan hapur dorëheqjen e zotit Austin, por Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti nuk ka në plan ta shkarkojë atë.

Mbetet e paqartë se kur zoti Austin do të kthehet në zyrën e tij në Pentagon apo se si do të ndikojnë çështjet e lidhura me shëndetin tek puna e tij, udhëtimet dhe angazhimet e tjera publike në vazhdim. Nënsekretarja e Mbrojtjes, Kathleen Hicks, ka marrë përsipër disa nga detyrat e përditshme të tij ndërsa ai po merr vetën pas trajtimit mjekësor.

Republikani pak i njohur që shpreson të bëjë surprizën duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë

Me katër ditë para komitetit të parë elektoral të garës paraprake republikane të vitit 2024, thuajse të gjithë kandidatët që kanë pak shpresa për të fituar janë tërhequr.

Chris Christie, ish-guvernatori i Nju Xhersit, u tërhoq të mërkurën pasi pranoi se “nuk kishte rrugë” për të për në Shtëpinë e Bardhë. Tërheqja e tij pritet të nxisë Nikki Haley-n e cila është ende në garë.

Por sondazhet duket se nuk shqetësojnë Ryan Binkley-n, një drejtor ekzekutiv i një banke investimesh për të cilin pothuajse askush nuk ka dëgjuar dhe i cili ka drejtuar një fushatë paraprake republikane që në prill.

Binkley tha për The Telegraph se ai ende mendon se perspektivat e tij janë “shumë të mira” dhe tha se ka marrë më shumë donacione që kur kandidatët e tjerë janë tërhequr.

“Duam që të kemi një pjesëmarrje të madhe dhe të befasojmë kombin,” tha ai. “Duam të bëjmë shumë mirë.”

“Kemi pasur një rritje të parave të reklamave. Kur kishte 15 kandidatë, na mungonin kriteret për debatin e parë vetëm për disa njerëz. Kështu që u tërhoqëm nga reklamat sepse është një fushë e mbushur me guvernatorë dhe miliarderë”.

Binkley tha se ekipi i tij ka rekrutuar rreth 300 folës për komitetet elektorale të Iowa-s të hënën, duke i dhënë atij përfaqësim në të gjithë shtetin dhe duke e lënë atë në vendin “e katërt ose të pestë” ndërsa fushata shkon në New Hampshire.

Garat presidenciale në SHBA janë të mbushura me kandidatë që kandidojnë për herë të parë dhe që shpresojnë të hyjnë në politikë e të provojnë të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë, dhe është kjo është një veçori e njohur e sistemit politik amerikan që çdo qytetar amerikan mbi 35 vjeç mund të kandidojë – nëse i ka paratë.

Komiteti elektoral i Iowa-s është vota e parë republikane në vend, dhe pretendentët e tjerë kanë shpenzuar miliona në një fushatë elektorale të sofistikuar, duke synuar të dhënat e votuesve dhe ekipet e njerëzve që kërkojnë mbështetje.

Kandidatët kryesorë po zhvillojnë aktivitete çdo ditë, me shpresën për të takuar sa më shumë votues të jetë e mundur, dhe për të udhëtuar në shtet – i cili është sa madhësia e Anglisë – me autobusët e fushatës të mbushur me mbështetës.

Ata gjithashtu marrin mbulim kombëtar të shtypit përmes pjesëmarrjes së tyre në debatet televizive, në të cilat z. Binkley nuk është ftuar të bashkohet.

Iowa ka një ndikim të madh në garën e përgjithshme sepse vendos tonin e zgjedhjeve paraprake dhe mund të rezultojë që kandidatët të marrin më shumë mbështetje në votat e mëvonshme, ose të tërhiqen plotësisht.

Pak kandidatë që s’kanë shumë shpresa qëndrojnë në garë, por z. Blinkey, një pastor dhe biznesmen 56-vjeçar nga Teksasi, thotë se dëshiron ta kthejë SHBA-në në “ditët e mrekullueshme të së kaluarës”.

Shembujt e tij të lavdisë së dikurshme përfshijnë fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe urdhrin e Ronald Reganit të vitit 1987 për Mikhail Gorbaçovin për të “shembur këtë mur”.

“Nuk kemi pasur diçka të tillë në 20 e ca vite – kemi pasur ndarje,” tha ai.

“Kemi pasur një plan të keq financiar, drejtues që na fusin në 34 trilionë dollarë borxhe pa pasur rrugëdalje. Jemi në telashe financiare.”

Babai i pesë fëmijëve tha se do të vazhdonte të mbështeste Ukrainën si president, por do të shpresonte që të përfundonte luftën nëse do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

“E dini çfarë? Momentet më të mëdha të vendit tonë kanë qenë kur kemi mbështetur njëri-tjetrin për lirinë,” tha ai.

“Ne duhet të mbështesim NATO-n; duhet të mbështesim aleatët në të gjithë botën perëndimore.”

Është e vështirë të matet suksesi i fushatës së zotit Binkley pasi shumica e anketuesve nuk shqetësohen ta vendosin atë në listat e tyre të kandidatëve të mundshëm në sondazhe.

“Ata duhet të më kushtojnë vëmendje sepse do të dëgjojnë për ne,” tha ai. “Unë besoj se do ta befasojmë Iowa-n, do të bëjmë mirë, duam të përfundojmë më katër ose pesë vendet e para e të vazhdojmë para.”

Në dukje i pakënaqur nga mungesa e njohjes politike, Binkley tha se ai nuk po e përdorte fushatën e tij për të tentuar të gjente një punë në kabinetin e një kandidati tjetër të suksesshëm presidencial – dhe po kandidon vetëm për presidencën.

“Nuk po kërkoj këtë,” tha ai. “Unë jam drejtor ekzekutiv i një banke investimesh. Kam një jetë të mirë. Jam i bekuar. Këtë kandidim e ndiej si një thirrje, po e bëj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”sn

Ambasadori Hill i bën të ditur Presidentit të Serbisë se SHBA e ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank “Javelin”

Voal.ch: Ambasadori Hill i pohon Presidentit të Serbisë se SHBA e ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank “Javelin”

Ambasadori Amerikan në Beograd, Christopher Hill, është pritur dje në takim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kështu raporton agjencia serbe e lajmeve TANJUG dhe lajmi ka për titull: Vuçiq: Është zhgënjim i madh që SHBA-të pranuan kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave

Në lajmin e botuar në faqen e saj online thuhet se Ambasadori Hill e ka njoftuar Vuçiqin se SHBA-ja ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin.

Tanjug raporton se Vuçiq ka mbetur i zhgënjyer.  “Serbia do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan, si dhe se do të punojë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane, pavarësisht se SHBA ka vendosur të pranojë kërkesën e Prishtinës për blerjen e raketave antitank “Javalin”, ka theksuar Vuçiq.

Siç citohet nga Tanjug, Ambasadori i SHBA në Beograd Christopher Hill citohet t’i ketë thënë Presidentit Vuçiq se Departamenti i Shtetit do t’ia dërgojë kërkesën e Kosovës Kongresit Amerikan për fillimin e procedurës.

Foto e Tanjug

Trumpit nuk do t’i lejohet të flasë në përmbylljen e gjyqit për mashtrime financiare

Një gjykatës në rastin gjyqësor në Nju Jork kundër Donald Trumpit, për mashtrime financiare, ka tërhequr lejen që ish-presidentit amerikan t’i lejohet fjala përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.

Trump po akuzohet se në mënyrë mashtruese ka rritur vlerën e pronave të tij dhe prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, po kërkon 370 milionë dollarë nga ai, por edhe që Trumpit t’i ndalohet që të bëjë biznes në këtë shtet.

Të dy ekipet ligjore do të nisin fjalimet e tyre përmbyllëse të enjten.

Avokatët e Trumpit, të cilët vazhdimisht kanë sulmuar gjyqtarin e rastit dhe prokuroren e Përgjithshme duke i akuzuar për anshmëri, kanë lënë të kuptohet se ish-presidenti do të mbante fjalimin përmbyllës.

Por, në bazë të emaileve të shkëmbyera mes gjykatësit Arthur Engoron dhe ekipit ligjor të Trumpit, gjykatësi Engoron tha se nëse ish-presidenti dëshiron të flasë “ai do të pajtohet me kufizimet që kam vendosur”, përkatësisht që t’i përmbahet fakteve të këtij rasti gjyqësor.

Në përgjigjen dërguar përmes korrespondencës elektronike, ekipi i Trumpit e cilësoi këtë vendim si “të padrejtë”, duke insistuar se Trump duhet të lejohet “që të flasë për gjërat për të cilat ai duhet të flasë”. Por, gjykatësi u përgjigj se oferta e tij ishte “merre ose lëre” dhe ekipi i Trumpit nuk u pajtua, prandaj ish-presidenti nuk do të deklarohet para gjykatës më 11 janar.

Trump, që po konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin nga republikanët për garën presidenciale, dhe dy djemtë e tij më të mëdhenj po akuzohen se në mënyrë mashtruese kanë rritur vlerën e pronave të paluajtshme të tyre, në mënyrë që të marrin hua më favorizuese nga bankaz.

Trump vazhdimisht ka shkruar në rrjetet sociale se ky rast gjyqësor “është vendosur kundër meje, para se të fillonte”.

Avokatët e Trumpit kanë mohuar se ish-presidenti ka mashtruar, duke argumentuar se vlera e patundshmërive është subjektive dhe se bankat që i kanë dhënë hua organizatës biznesore të Trumpit nuk kanë humbur asnjë para.rel

Tornado dhe stuhi bore në SHBA

Një stuhi dimërore ka goditur një zonë të gjerë të vendit, duke lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike dhe duke paralizuar transportin

Borëpastruesit në veprim të martën në Cedar Rapids, në shtetin amerikan të Iowa-s

VOAL- Një stuhi dimërore u zhvendos nëpër pjesë të Shteteve të Bashkuara të martën në mbrëmje, duke shkaktuar tornado dhe stuhi në veri. Qindra mijëra shtëpi janë pa energji elektrike. Sipas parashikimeve të Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), agjencisë meteorologjike amerikane, në Shtetet e Bashkuara qendrore dhe lindore priten reshje të dendura shiu të cilat mund të shkaktojnë përmbytje, erëra me stuhi deri në 80 km/h dhe stuhi.

“Mos e nënvlerësoni stuhinë,” paralajmëroi guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, duke e përshkruar stuhinë si “të pazakontë”. Ai po ashtu ka thënë se moti pritet të përkeqësohet në orët në vijim, deri në mëngjesin e së mërkurës, me kulme ngricash gjatë natës. Nju Jorku gjithashtu u përgatit për të marrë shi të dendur të shoqëruar nga erëra të fuqishme të martën vonë deri në mëngjesin e së mërkurës.

Banorët duhet të “marrin masat e nevojshme paraprake për të qëndruar të sigurt gjatë kësaj ngjarjeje moti dhe të shmangin daljen jashtë në kulmin e stuhisë”, tha kryetari i Nju Jorkut Eric Adams.rsi-eb

Apeli skeptik mbi imunitetin e presidentit Trump

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Ndërsa zoti Donald Trump ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, nga pyetjet që u drejtuan avokatëve të të dyja palëve, tre anëtarët e Gjykatës së Apelit në Uashington dukeshin tejet skeptikë nëse ish presidenti gëzon imunitet nga akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Tre gjyqtarët, dy prej të cilëve të emëruar nga Presidenti Biden dhe njeri nga Presidenti Bush, po ashtu ngritën mëdyshje nëse ata kanë fuqinë ligjore për të marrë në shqyrtim apelimin e çështjes në këtë pikë të procesit, duke lënë të hapur mundësinë që kërkesa e zotit Trump të rrëzohet.

Në 1 dhjetor, gjykatësja e shkallës së parë, Tanya Chutkan u shpreh qartë se ish presidenti nuk gëzonte imunitet.

Mund të duhen javë ose muaj që Gjykata e Apelit të marrë një vendim, që ka shumë të ngjarë të apelohet në Gjykatën e Lartë.

Gjykata e Lartë po shqyrton ndërkohë një tjetër rast për ish presidentin, atë të vendimit të shtetit të Kolorados për ta hequr zotin Trump nga fleta e votimit nën argumentin se ka marrë pjesë në kryengritjen e 6 janarit, siç parashikohet në nenin e 14 të kushtetutës.

Ish presidenti Trump, ishte i pranishëm në seancën e sotme në Uashington. Avokatët e tij kërkuan pushimin e çështjes me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Por gjyqtarët reaguan me skepticizëm mbi këtë argument. Një nga gjykatëset, Florence Pan, e pyeti avokatin e zotit Trump, se “ç’do të ndodhte nëse një president shiste sekrete ushtarake, apo nëse urdhëronte vrasjen e një rivali polik? A nuk duhet gjykuar ai për këto”?

Avokati John Sauer u përgjigj se akuza ndaj presidentit mund të ngrihej vetëm në rast se më parë Dhoma e Përfaqësuesve do të kishte ngritur akuza ndaj tij dhe Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, do ta shpallte atë fajtor.

Por sipas përfaqësueve të Departamentit të Drejtësisë, dhënia e imunitetit për zotin Trump do t’i hapte udhë një precedenti që presidentët e ardhshëm të kryenin krime. “Presidenti ka një rol unik kushtetues, por ai nuk është mbi ligjin”, tha James Pearce avokat i Deparamentit të Drejtësisë.

Sipas prokurori të posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ky i fundit ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.

Akuza për përpjekje për të përmbysyr rezultatin e zgjedhjeve është një nga 4 akuzat penale me të cilat përballet ish presidenti Donald Trump ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Prej kohësh, Departamenti i Drejtësisë ka mbajtur qëndrimin se presidentët nuk mund të ndiqen penalisht ndërsa janë në detyrë dhe për vendimet e tyre zyrtare.

Zoti Trump, i pari ish predent që po ndiqet penalisht, përballet me 91 akuza, në 4 çështje të ndryshme. Avokati i zotit Trump i tha tre gjykatësve se vazhdimi i procesit ndaj zotit Trump do t’i hapte udhë një cikli hakmarrjeje pas çdo procesi zgjedhor dhe do të “hapte një kuti pandore nga e cila vendi ndoshta nuk do mund të rimëkëmbej më.

Ish presidenti Trump në gjykatë ndërsa kërkon imunitet lidhur akuzat për zgjedhjet e 2020

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Gjykata e Apelit në Uashington po dëgjon argumentet e palëve nëse ish presidenti Donald Trump gëzon apo jo imunitet për t’u ndjekur penalisht mbi akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ish presidenti Donald Trump ka mbërritur në gjykatë. Kjo është një nga 4 hetimet penale me të cilat ai përballet ndërsa garon për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Avokatët kanë kërkuar pushimin e çështjes ndaj tij me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare dhe se gjykatat nuk kanë autoritet për të shqyrtuar aktet e një presidenti.

Por prokurori i posaçëm, Jack Smith, që drejton hetimet ndaj zotit Trump, ka argumentuar se presidentët nuk gëzojnë imunitet të plotë dhe se veprimet për të cilat është akuzuar ish presidenti, nuk ishin të lidhura me funksionet e tij shtetërore.

Sipas prokurorit Smith, zoti Trump ka vepruar në rolin e një kandidati politik dhe jo në rolin e një presidenti, kur ushtroi trysni mbi zyrtarët zgjedhorë për të përmbysur humbjen e tij ndaj zotit Biden dhe kur nxiti mbështetësit e tij që t’i drejtoheshin Kapitolit në 6 janar të vitit 2021.

Prokurorët thonë se nëse do të pranoheshin argumentet e zotit Trump se ai gëzon imunitet, atëherë, kjo do t’i hapte udhë mundësisë që në të ardhmen një president të mund t’i shpëtonte ndjekjes penale për vepra si marrje rrushfeti në këmbim të një kontrate qeveritare; apo udhëzimin e shefit të FBI-së për të manipuluar prova në dëm të kundërshtarëve politike, apo për shitjen e sekreteve bërthamore tek rivalët e huaj.

Në parashtrimet e tyre, ndër të tjera, avokatët e ish presidentit Trump kanë cituar një dispozitë kushtetese mbi bazën e të cilës një person nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën akuzë. Sipas tyre, çështja përmban akuza të ngjashme, me ato që ngriti ndaj zotit Trump Dhoma e Përfaqesuesve, por Senati, organi që zhvillon gjyqin ndaj një presidenti, e shpalli atë të pafajshëm.

Mitch McConnell, kryetari i atëphershëm i shumicës republikane në Senat, u shpreh gjatë gjyqit se për akuzat ndaj ish presidentit u takonte gjykatave të merrnin vendim.

Disa ekspertë ligjore argumentojë se zoti Trump po tenton që përmes apelimeve të vonojë proceset gjyqësore në pritje të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të përdorë kompetencat e presidentit për të ndërprerë proceset gjyqësore dhe madje edhe të falë veten ndaj çdo krimi federal.

Në Apelin e Uashingtonit, çështja e imunitetit të zotit Trump, po shqyrtohet nga tre gjyqtarë, dy të emëruar nga zoti Biden dhe një nga ish presidenti Bush. Nuk dihet se kur ata do të marrin vendim, megjithatë gjasat janë që kjo çështje të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Zoti Trump ka lënë të kuptohet se do ta shfrytëzojë paraqitjen e sotme në gjykatë për të portetizuar veten si viktimë të përdorimit politik të sistemit të drejtësisë. Deri më tani nuk ka patur asnjë fakt që të tregojë ndikim të Presidentit Joe Biden në çështjen ndaj paraardhësit të tij.

Ky është një rast i paprecedentë kur një president akuzohet për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve dhe një terren i ri për organet gjyqësore, që duhet ti japin përgjigje pyetjeve nëse një ish president mund të hetohet për aktet e ndërmarra gjatë drejtimit të Shtëpisë së Bardhë.

SHBA, Gjykata e Lartë do të përcaktojë nëse ish-presidenti Trump mund të përjashtohet nga fletët e votimit

VOA/Marrë nga Associated Press

Gjykata e Lartë tha të premten se do të përcaktojë nëse emri i presidentit Donald Trump mund të përjashtohet ose jo nga fletët e votimit për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, gjë që e bën gjykatën faktor në fushatën presidenciale të vitit 2024.

Anëtarët e gjykatës e pranuan se është e nevojshme që të merret një vendim i shpejtë, pasi zgjedhësit do të fillojnë së shpejti të hedhin votat presidenciale në zgjedhjet paraprake në të gjithë vendin.

Gjykata ra dakord të shqyrtonte një apel nga ana e zotit Trump ndaj një vendimi në shtetin e Kolorados që u mor për shkak të rolit të tij në ngjarjet që arritën pikën kulmore me sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit. Argumentat për këtë çështje do të paraqiten në fillim të shkurtit.

Është hera e parë që gjykata do të japë një interpretim për një dispozitë të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikan sipas së cilës u ndalohet disa zyrtarëve që “angazhohen në kryengritje” të mbajnë poste publike.

Amendamenti u miratua në vitin 1868, pas Luftës Civile dhe është përdorur aq rrallë sa gjykata më e lartë e vendit nuk ka pasur asnjë rast më parë për të shprehet për të.

Gjykata e Lartë e Kolorados, me një votim 4-3, vendosi muajin e kaluar se zoti Trump nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve paraprake republikane.

Ishte hera e parë që Amendamenti i 14-të u përdor si bazë për të përjashtuar një kandidat presidencial nga gara.

Ish-presidenti Trump po apelon veçmas në një gjykatë shtetërore një vendim të sekretares demokrate të shtetit Mein, Shenna Bellows, sipas së cilit ai nuk duhej të përfshihej në fletët e votimit të atij shteti për shkak të rolit në sulmin ndaj Kapitolit.

Vendimet e Gjykatës së Lartë të Kolorados dhe Sekretares së Shtetit në Mein janë të pezulluara deri kur të përfundojnë proceset e apelit.

Vendimi i gjykatës së lartë për të ndërhyrë, gjë që u kërkua nga të dyja palët, është përfshirja më e drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale e saj që nga zgjedhjet e vitit 2000 mes kandidatit të atëhershëm republikan George W. Bush dhe ish-nënpresidentit demokrat Al Gore, kur një shumicë konservatore e gjykatës vendosi efektivisht rezultatin e zgjedhjeve në favor të republikanit Bush.

Tre nga nëntë anëtarët aktualë të Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, megjithëse ata kanë vendosur disa herë kundër tij në padi të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020 dhe përpjekjet e tij për të mbajtur dokumentet që lidhen me 6 janarin dhe që të mos i dorëzonte dokumentate e taksave në Komisionet e Kongresit .

Nga ana tjetër, anëtarët konservatorë të gjykatës Amy Coney Barrett, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh kanë qenë pjesë e shumicës së vendimeve të marra nga konservatorët që rrëzuan të drejtën kushtetuese për abortin dhe zgjeruan të drejtat për armëmbajtje.

Kirby: Qëndrimi i administratës ndaj rajonit të Ballkanit, nuk ka ndryshuar

VOA

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby i tha Zërit të Amerikës, se qasja e Uashingtonit ndaj Evropës e rajonit të Ballkanit nuk ka ndryshuar. Këto komente zoti Kirky, i bëri në përgjigje të një pyetje si reagim, mbi një artikull redaksional të gazetës ‘Washington Post’, ku thuhet se Presidenti Biden ndoqi politikën e “mbështetjes së Presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiç në përpjekje për ta larguar atë nga Rusia”.

“Ky qëndrim duket gjithnjë e më shumë si një dështim”, thotë “Washington Post”.

Zoti Kirby nuk bëri komente të mëtejshme.

Kohët e fundit, pas zgjedhjeve të parakohshme, Serbia është përfshirë nga një valë protestash të opozitës, e cila akuzon qeverinë për parregullsi masive dhe manipulime në procesin e 17 dhjetorit.

Në artikullin redaksional të ‘Washington Post-it” thuhet se zoti Vuçiç dhe Kryeministrja Ana Brnabiq “akuzuan perëndimin për protestat” dhe i quajtën ato “një përpjekje për të rrëzuar qeverinë” .

Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit e duke u rreshtuar me Moskën, zoti Vuçiç fiton pikë para grupeve nacionaliste, ndërsa kundërshtarët e tij demokratë, i etiketon si shërbëtorë të interesave të huaja”, vazhdon më tej editoriali.

‘Washingtoni Post’ thotë se zoti Vuçiç në takimeve private i siguron vazhdimisht zyrtarët perëndimorë se ai “po bën përpjekjet më të mira të mundshme që kombi i tij ‘i pabindur’ të jetë pjesë e Bashkimin Evropian dhe se ai është partneri i tyre, i vetëm dhe i besueshëm”.

Sipas ‘Washington Post-it’ administrata Biden e bazoi politikën e saj paqtuese, tek garancitë që zoti Vuçiç u ka dhënë privatisht.

Edhe pse disa kriza të rrezikshme gjatë vitit të kaluar në Kosovën fqinje kanë pasur gjurmë gishtash serbe, Shtetet e Bashkuara kanë shmangur fajësimin e qartë të njërës palë, duke preferuar të bëjnë thirrje për qetësi”, thekson artikulli.

Senati Amerikan kthen propozimin e Biden, Kostelancik nuk miratohet si ambasador i SHBA në Shqipëri. Mund të riparaqitet kandidatura

Senati Amerikan ka kthyer kandidaturën e propozuar nga Joe Biden, për ambasadorin e ri në Shqipëri.

Mësohet se David Kostelancik nuk mund të jetë ambasador në vendin tonë. Kandidatura e ambasadorit të refuzuar mund të riparaqitet, e në këtë rast ndryshon procedura.

Kostelancik u emërua nga Biden si ambasador në Shqipëri më 24 janar 2023, ndërsa më parë ka shërbyer më parë si diplomat në Shqipëri.bw

Administrata e Presidentit Biden autorizon shitje emergjence armatimi për Izraelin

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Për të dytën herë këtë muaj, administrata e Presidentit Biden anashkalon Kongresin duke miratuar shitje emergjence armësh për Izraelin, ndërsa Izraeli vazhdon me luftën kundër Hamasit në Gazë mes kritikave të shtuara ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit tha të premten se Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka njoftuar Kongresin se ka marrë një vendim të dytë emergjence për 147.5 milionë dollarë shitje paisjesh ushtarake që nevojiten për të futur në funksionim predhat 155 mm që Izraeli pati blerë më herët.

“Për shkak të urgjencës së nevojave të mbrojtjes së Izraelit, sekretari njoftoi Kongresin se ka ushtruar autoritetin e deleguar për të vendosur se ekziston një emergjencë, për shkak të së cilës është i nevojshëm miratimi i menjëhershëm i transferimit (të paisjeve). Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit, dhe është jetike për interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara që Izraeli të jetë në gjendje të mbrohet nga rreziqet që i kanosen”, tha Departamenti i Shtetit.

Vendimi i emergjencës do të thotë se shitja e armatimit do të anashkalojë shqyrtimin që bëhet nga Kongresi për shitjet e armatimeve vendeve të tjera. Vendime të tilla janë të rralla, por jo të paprecedenta, kur administratat shohin një nevojë urgjente për dërgim armësh për të cilat nuk mund të pritet për miratimin e ligjvënësve.

Sekretari Blinken mori një vendim të ngjashëm në 9 dhjetor, duke miratuar shitje për Izraelin të 14 mijë predhave për tanket, me vlerë mbi 106 milionë dollarë.

Antony Blinken

Antony Blinken

Të dyja vendimet u morën pasi kërkesa e Presidentit Joe Biden për një paketë ndihme prej gati 106 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera të sigurisë kombëtare mbetet e bllokuar në Kongres, e përfshirë në një debat mbi politikën e emigracionit dhe sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Disa ligjvënës demokratë kanë thënë se ndihma e propozuar amerikane prej 14.3 miliardë dollarësh për vendin aleat në Lindjen e Mesme duhet të kushtëzohet me hapa konkretë nga qeveria e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të reduktuar viktimat civile në Gazë gjatë luftimeve me Hamasin.

Departamenti i Shtetit u përpoq të kundërshtonte kritikat e mundshme për shitjen e armatimit për arsye të të drejtave të njeriut duke thënë se ishte në kontakt të vazhdueshëm me Izraelin për të theksuar rëndësinë e minimizimit të viktimave në radhët e civilëve, të cilat janë rritur që kur Izraeli filloi kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael më 7 tetor.

“Vazhdojmë t’i theksojmë me forcë qeverisë së Izraelit se ata jo vetëm që duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, por gjithashtu të ndërmarrin çdo hap të mundshëm për të parandaluar dëmtimin e civilëve”, thuhet në deklaratë.

“Hamasi fshihet pas civilëve dhe është ngulitur në radhët e popullatës civile, por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë dhe detyrimin strategjik të Izraelit për të bërë dallimin mes civilëve dhe terroristëve të Hamasit ndërsa kryen operacionet e tij ushtarake”, tha Departamenti i Shtetit. “Kjo lloj fushate mund të fitohet vetëm duke mbrojtur civilët”.

Anashkalimi i Kongresit me vendimet urgjente për shitjet e armëve është një hap i pazakontë që në të kaluarën ka hasur në rezistencë nga ligjvënësit, të cilët normalisht kanë një periudhë kohore për të shqyrtuar transferimet e propozuara të armëve dhe, në disa raste, për t’i bllokuar ato.

Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

Kapitoli, selia e Kongresit të Shteteve të Bashkuara

Në maj 2019, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, mori një vendim urgjent për një shitje armësh prej 8.1 miliardë dollarësh për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, pasi u bë e qartë se administrata e ish-Presidentit Trump do të vështirësohej të tejkalonte shqetësimet e ligjvënësve për luftën e udhëhequr nga sauditët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen.

Zoti Pompeo u kritikua ashpër për vendimin, për të cilin disa besonin se mund të kishte shkelur ligjin, pasi shumë nga armët e përfshira nuk ishin prodhuar ende dhe nuk mund të dorëzoheshin me urgjencë. Por, një hetim i brendshëm konkludoi se ai nuk pati bërë ndonjë shkelje.

Të paktën katër administrata amerikane e kanë ushtruar këtë lloj autoriteti që nga viti 1979. Administrata e ish-Presidentit George H.W. Bush e përdori këtë autoritet gjatë Luftës së Gjirit për të dërguar me shpejtësi armatim në Arabinë Saudite.

Meini, shteti i dytë që heq ish-Presidentin Trump nga fleta e votimit

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Të enjten Sekretarja e Shtetit të Meinit Shenna Bellows, një demokrate, vendosi të heqë ish-Presidentin Donald Trump nga fleta e votimit për zgjedhjet paraprake presidenciale, në këtë shtet, bazuar në pikën tre të nenin 14 të Kushtetutës, që trajton rastet se kur një zyrtar nuk kualifikohet për të garuar për një post zyrtar. Me këtë vendim ajo bëhet zyrtarja e parë kryesore që administron ceshtje zgjedhore, e cila ndërmerr nje veprim të njëanshëm, e me pasoja të mundshme në garën e përgjithshme presidenciale.

Vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të shtetit dhe zonja Bellows e pezulloi atë deri në një vendim të gjykatës mbi këtë çështje.

Zonja Bellows tha se zoti Trump nuk mund të kandidonte sërish për president, për shkak të rolit të tij në sulmin e 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit, duke përmendur pikën tre të amendamentit 14, që ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

Zonja Bellows e mori vendimin pasi disa banorë të shtetit, përfshirë një grup dypartiak ish-ligjvënësish, sfiduan përfshirjen e zotit Trump në fletën e votimit.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se do të depozitojnë së shpejti një ankim ndaj këtij vendimi që e quajtën “mizor”.

Avokatët e zotit Trump i kanë kundërshtuar qëndrimet se ish-presidenti u përfshi në rebelim më 6 janar të vitit 2021 dhe kanë argumentuar se komentet e tij ndaj mbështetësve në ditën e sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit, mbroheshin nga e drejta e lirisë së shprehjes.

Vendimi i zonjës Bellows do të zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake të marsit në Mein, por mund të ndikojë në statusin e zotit Trump për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. Vendimi ka të ngjarë të rrisë trysninë mbi Gjykatën e Lartë të vendit për t’i dhënë një përgjigje pikëpyetjeve të ngritura nëse zoti Trump kualifikohet për të garuar në mbarë vendin, bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14 të Kushtetutës.

Tre nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë, shumica e të cilëve me pikëpamje konservatore jane emëruar nga zoti Trump.

Ndaj ish-Presidentit Trump janë ngritur padi si në nivel federal ashtu edhe në shtetin e Xhorxhias lidhur me rolin e tij në përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por ndaj tij nuk janë ngritur akuza për kryengritje apo rebelim në lidhje me sulmin e 6 janarit. Ai kryeson garën brenda partisë për të fituar emërimin zyrtar si kandidat për president, me një diferencë të madhe ndaj kandidatëve të tjerë republikanë.

Pak kohë me parë, më 19 dhjetor, Gjykata e Lartë e Kolorados e skualifikoi zotin Trump nga zgjedhjet paraprake të shtetit, duke e bërë atë kandidatin e parë në historinë e vendit që konsiderohet i papërshtatshëm për të garuar për president për shkak të asaj që gjykata e cilësoi si përfshirje e tij në kryengritje.

Vendimi 4 me 3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyj në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në këtë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim.

Zoti Trump ka thënë se do ta apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën e Lartë dhe e ka kritikuar atë duke e konsideruar vendimin si “jodemokratik”. Të mërkurën Partia Republikane e Kolorados paraqiti ankesën e saj në Gjykatën e Lartë.

Grupet aktiviste dhe disa votues kundër zotit Trump kanë ngritur padi në disa shtete bazuar në pikën tre të Amendamentit të 14-të, i cili u miratua pas Luftës Civile për të mbajtur jashtë posteve qeveritare mbështetësit e ish-konfederatës.

Përpjekje të ngjashme për të skualifikuar zotin Trump në shtete të tjera janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë në Miçigan, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet e përgjithshme, që nuk pranoi të mërkurën të dëgjonte një akimim, nëpërmjet të cilit kërkohej skualifikim i zotit Trump nga zgjedhjet paraprake presidenciale të këtij shteti.

Meini vlerësohet nga organizatat jopartike që monitorojnë zgjedhjet si një shtet demokrat, që do të thotë se Presidenti Joe Biden ka gjasa të fitojë garën në këtë shtet. Por zoti Trump fitoi një elektor në Mein si në zgjedhjet e vitit 2016 ashtu edhe në 2020.

Një kandidati për president i duhet të fitojnë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të fituar garën për president.

Micheal Kirby: Vuçiçi është përgjegjës për ndërhyrjet në zgjedhje

VOA

Ish-ambasador i SHBA-së në Serb, Micheal Kirby ka deklaruar se qytetarët që protestuan në Beograd të dielën dukeshin si një masë e pakënaqur, por jo si një forcë e gatshme për të rrëzuar çdo qeveri.

“Kam parë zhgënjimin e qytetarëve. Nuk e di nëse dhuna ishte e sajuar – por duket se mes protestuesve kishte nga ata që donin të merrnin diçka më shumë prej saj”, ka theksuar Kirby.

Ai ka deklaruar se autoritetet serbe informacionet që marrin nga Rusia e marrin si të vërtetë të pamohueshme.

“Jam në dijeni se ambasadori rus dhe presidenti Vuçiq kanë biseduar. Rusët janë specialistë në përhapjen e dezinformatave dhe përmbajtjeve të rreme. Rebelët gjatë protestës mund të ishin kundërshtarë të parregullsive zgjedhore që ndodhën, por nuk përjashtohet që ata të ishin agjitatorë të cilët ishin futur nga Partia Progresive Serbe apo rusët”, ka theksuar ish diplomati amerikan për Zërin e Amerikës.

Gjykata e Lartë nuk do të përshpejtojë vendimin për ish-presidentin Trump lidhur me zgjedhjet 2020

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Gjykata e Lartë tha të premten se nuk do ta shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar kërkesën e prokurorit të posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse ish-presidenti Donald Trump mund të ndiqet penalisht për veprimet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi është një fitore për zotin Trump dhe avokatët e tij, të cilët kanë kërkuar vazhdimisht ta vonojnë këtë dhe çështje të tjera penale kundër tij, ndërsa ai përpiqet rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

Me këtë veprim gjykata më e lartë e vendit shmang një vendim të shpejtë që me siguri do t’i kishte hedhur poshtë pretendimet e ish-presidentit Trump për imunitet duke e shtyrë çështjen drejt një gjyqi të planifikuar të fillonte më 4 mars.

Çështja tani do të përcaktohet nga Gjykata e Apelit për Qarkun kryeqytetit Washington, e cila ka sinjalizuar se do të veprojë me shpejtësi për të vendosur çështjen.

Prokurori i posaçëm Jack Smith kishte paralajmëruar se edhe një vendim i shpejtë i apelit mund të mos ta çonte çështjen në kohë për shqyrtim dhe vendim në Gjykatën e Lartë përpara përfundimit të sezonit para pushimeve verore.

Prokurori Smith i kishte kërkuar me këmbëngulje Gjykatës së Lartë të ndërhynte, duke përmendur si argument interesin e rëndësishëm publik për një zgjidhje të shpejtë të çështjes.

Kërkesa për ta kapërcyer gjykatën e apelit, gjë që vetë prokurori Smith e pranoi se ishte “e jashtëzakonshme”, nxirrte në pah shqetësimet e prokurorëve se lufta ligjore mbi këtë çështje mund ta shtyjë fillimin e gjyqit të zotit Trump përtej zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Gjykata e hodhi poshtë kërkesën për veprim të shpejtë me një përgjigje prej një fjalie lëshuar pasditen e së premtes. Sipas praktikës së gjykatës, anëtarët e saj nuk dhanë asnjë shpjegim për vendimin. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë.

Në një deklaratë për përkrahësit e tij zoti Trump e cilësoi fitore vendimin e Gjykatës së Lartë, por shtoi se “do të më duhet të luftoj për të drejtat e mia në Gjykatën e Apelit”.

Prokurorët e kanë akuzuar zotin Trump, kandidatin kryesor presidencial republikan për zgjedhjet e vitit 2024, për përpjekje për të penguar punën e Kongresit dhe për komplot për të përmbysur fitoren e presidentit demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Ish-presidenti Trump ka argumentuar se çështja duhet të hidhet poshtë me arsyetimin se ish-presidentët nuk mund të përballen me akuza penale për veprime që lidhen me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Gjykatësja Tanya Chutkan e hodhi poshtë atë pretendim më 1 dhjetor, duke bërë që zoti Trump ta apelojë çështjen në Gjykatën e Apelit të Uashingtonit. Procesi i apelit e pezullon përkohësisht gjyqin e tij, aktualisht të caktuar për në mars.

Nëse zoti Trump rizgjidhet në Shtëpinë e Bardhë më 5 nëntor, ai mund të kërkojë të lëshojë falje për veten e tij ndaj çdo krimi federal. Avokatët e zotit Trump e kundërshtuan kërkesën e prokurorit Smith, duke thënë se ajo ishte një përpjekje e pamatur për të përshpejtuar çështjen.

Tre nga nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë janë emëruar nga zoti Trump, duke konsoliduar një gjykatë me shumicë konservatore 6-3.

Detroit News: Trump ushtroi trysni ndaj zyrtarëve zgjedhorë të Miçiganit për të përmbysur humbjen e tij

VOA/Marrë nga Reuters

Ish-presidenti Donald Trump u kërkoi dy zyrtarëve zgjedhorë të Miçiganit që të mos certifikojnë fitoren e demokratit Joe Biden në atë shtet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke i telefonuar ata personalisht për t’u bërë presion, një taktikë e ngjashme me atë që ai përdori në Xhoxhia, njofton gazeta Detroit News.

Në një telefonatë më 17 nëntor 2020, presidenti i atëhershëm u kërkoi dy anëtarëve republikanë të Bordit të zgjedhjeve të Qarkut Wayne që të mos nënshkruanin certifikimin e zgjedhjeve në atë shtet, duke thënë se do të dukeshin “shumë keq” nëse e bënin një gjë të tillë dhe se duhet “të luftonin për vendin”, sipas bisedës së inçizuar që është siguruar nga organi i medias në Miçigan.

Wayne është qarku më i populluar i shtetit qendror të Shteteve të Bashkuara dhe përfshin Detroitin, një qytet demokrat me një popullsi me shumicë të konsiderueshme afrikano-amerikane.

Në audio, zoti Trump dëgjohet të thotë se republikanëve “iu vodhën këto zgjedhje” dhe “të gjithë e dinë se Detroiti është tërësisht i korruptuar “, sipas artikullit të publikuar të enjten.

Lajmi për bisedën e regjistruar vjen ndërsa zoti Trump, kandidati kryesor për emërimin republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, përballet me akuza penale federale dhe shtetërore mbi akuzat se ai bëri përpjekje të përmbyste zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, të cilat arritën pikën me sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit më 6 janar.

Ish-presidenti Trump ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur gjueti shtrigash që synon të pengojë fushatën e tij, ndërsa vazhdon të përhapë pretendime të rreme për manipulime të gjera në votimet e vitit 2020.

“Trump i ndërmori veprimet në funksion të detyrës si President i Shteteve të Bashkuara për t’i respektuar me besnikëri ligjet dhe për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, përfshirë hetimin për manipulime në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung, i pyetur në lidhje me njoftimet për Miçiganin.

Në Xhorxhia, zoti Trump përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të cilat i fitoi presideti Biden, përfshirë një telefonatë personale me sekretarin republikan të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” votat e mjaftueshme për të nxjerrë atë fitues, gjë që zyrtari nuk pranoi ta bënte.

Përfaqësues të kryetares së Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, e cila njoftohet se ishte e pranishme në telefonatën e Miçiganit, nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Zonja McDaniel i tha gazetës Detroit News se ajo i qëndronte kërkesës drejtuar bordit të qarkut “së kishte prova të shumta që e bënin një rishikim të nevojshëm”. Si zonja McDaniel ashtu edhe ish-presidenti Trump ofruan që të merrnin avokatë për anëtarët e bordit, thuhet në njoftim.

Dispozita në Kushtetutën amerikane që rrezikon fushatën e zotit Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të rifituar Shtëpinë e Bardhë janë vënë në rrezik nga dy fjali që i janë shtuar Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara 155 vjet më parë.

Gjykata e Lartë e Kolorados mori një vendim historik të martën që e ndalon zotin Trump që të përfshihet në fletën e votimit në atë shtetet në bazë të pikës 3 të Amendamentit të 14. Kjo shtesë ligjore e ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

Kjo është hera e parë në histori e përdorjes së kësaj dispozite për të ndaluar dikë që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të ketë fjalën e fundit nëse vendimi i gjykatës së Kolorados qëndron.

Nëse ndodh, gjë që shumë ekspertë ligjorë thonë se ka gjasa të pakta, kjo do t’i jepte fund fushatës së zotit Trump, sepse vendimi i Gjykatës së Lartë do të zbatohej në të gjitha shtetet.

Po ashtu, kjo hap shtegun e një bote të re lufte politike, pasi politikanët në të ardhmen do të shfrytëzonin vendimet gjyqësore për të skualifikuar rivalët e tyre në bazë të së njëjtës dispozitë.

Madje, disa konservatorë kanë menduar ta përdorin dispozitën kundër Nënpresidentes Kamala Harris, e cila mblodhi para për lirimin me kusht nga burgu të të ndaluarve gjatë dhunës pas vrasjes së zotit George Floyd në Minneapolis. Ata thanë se edhe kjo duhet të konsiderohet si një “kryengritje” kundër Kushtetutës.

ÇFARË NDIKIMI DO TË KETË VENDIMI?

Të vetëdijshëm se çështja kishte shumë gjasa të shkonte në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, vendimi 4-3 i Gjykatës së Lartë të Kolorados nuk do të hyjë në fuqi deri më 4 janar, një ditë para printimit të fletëve të votimit për zgjedhjet paraprake në atë shtetet, ose derisa Gjykata e Lartë të marrë një vendim.

Teknikisht, vendimi i Kolorados zbatohet vetëm në atë shtet ndërsa sekretarët e shteteve të tjera po lëshojnë deklarata duke thënë se zoti Trump mbetet në fletën e votimit për zgjedhjet paraprake.

Por vendimi i Kolorados mund t‘i inkurajojë shtetet e tjera që ta përjashtojnë emrin e zotit Trump nga fletët e votimit.

Aktivistët u kanë kërkuar zyrtarëve të zgjedhjeve shtetërore që ta bëjnë këtë në mënyrë të njëanshme, por asnjë nuk e ka bërë. Janë ngritur dhjetëra padi, por të gjitha dështuan deri në Kolorado.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk ka marrë asnjëherë vendim lidhur me atë që nënkupton pika 3 e Amendamentit 14. Apelimi nga fushata e zotit Trump nuk pritet të depozitohet këtë javë.

Gjykata e Lartë mund të marrë vendime të ndryshme, që nga mbështetja e vendimit të Kolorados apo hedhja poshtë e tij. Një tjetër alternativë mund të jetë edhe shmangia e pyetjeve thelbësore. Por shumë ekspertë paralajmërojnë se do të ishte e rrezikshme që të lihej pa përgjigje një pyetje jetike kushtetuese.

“Është e domosdoshme për stabilitetin politik amerikan që të kemi një zgjidhje përfundimtare juridike të këtyre çështjeve sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkroi menjëherë pas vendimit Rick Hasen, profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. “Votuesit duhet ta dinë nëse kandidati që ata po mbështesin për president ka të drejtë të kandidojë”.

ÇFARË DO TË BËJË GJYKATA E LARTË E SHBA-së?

Gjykata e Lartë përbëhet nga nëntë gjyqtarë, gjashtë prej tyre të emëruar nga presidentë republikanë, mes tyre tre të emëruar nga vetë zoti Trump.

Pjesërisht për shkak se kjo është një bazë ligjore krejtësisht e re, është e vështirë të parashikohet se si do të vendosin gjykatësit individualisht bazuar në ideologjinë e tyre.

Disa nga mbështetësit më të fortë të përdorimit të dispozitës në fjalë kundër zotit Trump kanë qenë teoricienë dhe avokatë të njohur konservatorë , të cilët argumentojnë se gjykatat duhet të zbatojnë fjalët aktuale të Kushtetutës. Ata argumentojnë se nuk ka vend për interpretim dhe se zoti Trump është qartësisht i skualifikuar.

Të shtatë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Kolorados janë emëruar nga demokratët. Por ata ishin të ndarë në votimin 4-3. Shumica citoi një vendim nga zoti Neil Gorsuch nga koha kur ai ishte gjyqtar federal në Kolorado. Zoti Gorsuch është një prej të emëruarve në Gjykatën e Lartë nga zoti Trump.

Ai pati marrë vendimin se një i lindur në Guayana, por që ka marrë shtetësinë amerikane, nuk i plotëson kushtet e vendosura nga Kushtetuta për të qënë në fletën e votimit për zgjedhjet presidenciale.

Megjithatë, gjykatat hezitojnë të kufizojnë zgjedhjet e votuesve. Shtrohet pyetja nëse një mosmarrëveshje ligjore zgjidhet më mirë nga njerëzit që votuesit kanë zgjedhur për të hartuar ligjet apo nga gjyqtarët e pazgjedhur? Kjo është një arsye se pse të gjitha paditë e tjera ndaj pikës 3 të Amendamentit 14 kanë dështuar deri tani.

ÇFARË ËSHTË PIKA 3 E AMENDAMENTIT 14?

Pika 3 e Amendamentit të 14-të u shkrua për të mbajtur larg posteve të qeverisë ish drejtuesit e konfederatës. Shtesa ligjore përjashton nga mbajtja e posteve publike të gjithë ata që më parë kanë bërë betimin por që janë përfshirë në kryengritje ose rebelim kundër shtetit ose kanë ndihmuar armiqtë. Pika 3 thotë se kjo dispozitë mund të ndryshohet me votën e dy të tretave të secilës dhomë të Kongresit.

Dispozita u përdor shpesh në vitet menjëherë pas Luftës Civile, por nuk u përdor më pasi Kongresi miratoi një amnisti në vitin 1872 për shumë veteranë të konfederatës.

Sipas hulumtuesve, rasti i vetëm i përdorimit të dispozitës në shekullin e 20-të ishte në vitin 1919 kundër një ligjvënësi socialist i cili kundërshtonte përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore.

SHBA do të ketë qasje në 15 baza ushtarake në Finlandë

Finlanda do të nënshkruajë një marrëveshje të mbrojtjes javën e ardhshme duke i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje në 15 baza ushtarake të anëtarit më të ri të NATO-s, tha të premten ministria finlandeze e mbrojtjes.

Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes (DCA) do të nënshkruhet në Uashington të hënën nga ministri i mbrojtjes Antti Hakkanen dhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, tha ministria e punëve të jashtme. Më pas, traktati duhet të miratohet nga parlamenti i vendit nordik.

“Marrëveshja do të forcojë mbrojtjen e Finlandës sepse mundëson praninë dhe trajnimin e forcave amerikane dhe dislokimin e pajisjeve mbrojtëse në territorin e saj”, shtoi ministria e jashtme e Finlandës. “Ajo do të mbështesë gjithashtu zbatimin e masave frenuese dhe mbrojtëse të NATO-s.”

Ministrja e Jashtme, Elina Valtonen do të jetë e pranishme në Uashington gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, dhe për të takuar Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Shtetet e Bashkuara nënshkruan një marrëveshje të ngjashme me Suedinë më 6 dhjetor që i jep Uashingtonit qasje në 17 baza ushtarake.

Shqetësimet e ngritura nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, bënë që Finlanda dhe Suedia të braktisin politikën e mos-angazhimit ushtarak dhe të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill, ndërsa Suedia ende është në pritje të miratimit të kërkesës së saj nga anëtarët e NATO-s, Hungaria dhe Turqia.

McGonigali dënohet me 50 muaj burg për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë

VOA/Marrë nga Associated Press

Një ish-zyrtar i lartë i FBI-së për kundërzbulimin u dënua të enjten me mbi katër vjet burg për shkelje të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ai kishte punuar për një oligark rus që kërkonte të dhëna ndaj një rivali të pasur.

Charles McGonigal, i cili drejtoi divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në daljen e tij në pension në vitin 2018, pranoi në muajin gusht se kishte punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska për të gjetur të dhëna negative për oligarkun rival Vladimir Potanin.

55-vjeçari Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes, Jennifer H. Rearden, tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë.

Prokurori e cilësoi krimin e të pandehurit McGonigal si një etje për para i cili i kishte përdorur njohuritë që fitoi gjatë karrierës në FBI për t’i shërbyer një oligarku famëkeq rus, industrialistit miliarder Oleg Derispaska, dikur të hetuar prej tij.

Në vitin 2018 Shtetet e Bashkuara vunë sanksione ndaj oligarkut Deripaska për arsye që lidhen me pushtimin e Krimesë nga Rusia. Pasi iu dha rasti për të folur, McGonigal tha me një zë ndonjëherë që i dridhej se ishte penduar thellë dhe i vinte keq për veprimet e tij.

“Unë e kuptoj më shumë se kurrë që e kam tradhtuar besimin e njerëzve të mi të afërt”, tha ai. “Për pjesën tjetër të jetës sime, unë do të luftoj për ta rifituar atë besim”. Ndërsa u largua nga gjykata duke shtrënguar duar me bashkëshorten Pamela, ai tha: “Gëzuar festat të gjithëve”.

Në muajin gusht ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së e pranoi fajin ndaj akuzës për shkeljen e sanksioneve amerikane. Ai i tha gjykatëses se kishte marrë mbi 17,000 dollarë për ta ndihmuar oligarkun rus Deripaska me informacione negative për një oligark tjetër rus, i cili ishte konkurrent biznesi.

Prokurorët thonë se zoti McGonigal po përpiqej gjithashtu ta ndihmonte oligarkun Deripaska për ta hequr atë nga lista e sanksioneve dhe po zhvillonte negociata me disa bashkëpunëtorë për një shpërblim nga 650,000 deri 3 milionë dollarë për të gjetur dokumente që mund të zbulonin rreth 500 milionë dollarë në pasuri, të fshehura nga rivali i tij në biznes.

Avokati mbrojtës, Seth DuCharme, kërkoi shmangien e burgimit duke përmendur karrierën e zotit McGonigal, përfshirë punën e tij pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe hetimin e tij për dy sulmet terroriste vdekjeprurëse në ambasadat amerikane në Afrikë në vitin 1998.

Ndihmës Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Hagan Scotten, argumentoi për një dënim maksimal pesëvjeçar, duke i thënë gjykatësit se zoti McGonigal kishte një rrogë prej mbi 200,000 dollarë në vit përpara se të largohej nga FBI-ja dhe se ai paguhej mbi 850,000 dollarë në vit në sektorin privat, për një korporatë të njohur ndërkombëtare kur ai kreu krimin.

“Varfëria nuk ishte motivi për krimin, por babëzia”, tha ai. Zoti Scotten tha se McGonigal kishte një nga detyrat më të rëndësishme të kundërzbulimit në botë përpara se të largohej nga FBI-ja.

Prokurori Damian Williams tha përmes një deklarate se dënimi i zotit McGonigal ishte provë se kushdo që shkel sanksionet amerikane “do të paguajë një dënim të rëndë”.

“Charles McGonigal shkeli besimin që i dha vendi i tij, duke përdorur postin e lartë në FBI për t’u përgatitur për të ardhmen e tij në biznes. Pasi u largua nga shërbimi publik, ai rrezikoi sigurinë kombëtare duke i ofruar shërbime Oleg Deripaska-s, një manjati rus që vepron si agjent i Vladimir Putinit”.

Zoti McGonigal, i cili jeton në Nju Jork, është akuzuar veçmas në një gjykatë federale në Uashington, për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve, që dyshohet se i ka marrë nga një ish-zyrtar i zbulimit shqiptar, ndërsa McGonigal punonte për FBI-në. Për këtë rast ai do të dënohet më 16 shkurt. Gjykatësja Rearden e urdhëroi atë që të paraqitej në burg më 26 shkurt.

O’Brien: SHBA-ja pret që qeveria e re në Beograd t’i përmbahet marrëveshjes me Kosovën

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga qeveria e ardhshme e Serbisë, e cila do të dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe rrugën drejt integrimit evropian, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

“Populli serb do të votojë si të dojë. Ne presim që qeveria t’i përmbahet marrëveshjes që ka bërë në lidhje me Kosovën”, tha O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Ai tha se në muajt e fundit është shënuar progres për çështjen e Kosovës, duke shtuar se “disa nga çështjet kryesore kontestuese kanë filluar të zgjidhen, si ajo e targave, doganave…”.

Zyrtari amerikan tha se duhet bërë progres i mëtejshëm dhe vuri në dukje se e ardhmja e Ballkanit qëndron në tregun e përbashkët evropian dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Për t’u bashkuar me të vërtetë në tregun e përbashkët evropian, të dyja palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, të njohin kufijtë dhe të pajtohen për bashkëpunim. Ne presim që ata të punojnë përsëri – duke filluar me angazhimet që ata tashmë i kanë bërë”, tha O’Brien.

Derisa ka folur për vazhdimin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, O’Brien tha se SHBA-ja pret ulje të tensioneve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

“Është një zonë ku forcat e KFOR-it, NATO-s janë forcuar. Dhe, misioni evropian, EULEX, gjithashtu ka qenë shumë aktiv kohën e fundit. Prandaj, asnjëra palë nuk ka arsye të shkaktojë tensione atje dhe ajo zonë duhet të qëndrojë e qetë”, tha ai.

Gjendja në veriun e Kosovës, vendi i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar prej fillimit të këtij viti, kur serbët lokalë i kundërshtuan kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe, të cilët dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga serbët në prill.

Më 24 shtator, gjendja u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Kthimi i serbëve në institucionet publike është një nga hapat që O’Brein përmendi për uljen e tensioneve.

“Qytetarët serbë të Kosovës që jetojnë në atë rajon duhet të mirëpriten përsëri në institucionet publike dhe kjo do të zvogëlojë tensionet. Dhe, pastaj, sinqerisht, të dyja palët kanë një punë të madhe për të bërë, për t’u siguruar që të vazhdojnë rrugën e normalizimit për të cilën u pajtuan në mars, në Ohër. Kështu që ka punë për t’u bërë”, tha ai.

O’Brien tha gjithashtu se SHBA do të vazhdojë të theksojë se sa e rëndësishme është “përfundimi i kësaj pune në muajt e ardhshëm”.

“Ekonomitë e tyre tashmë janë të lidhura me Bashkimin Evropian dhe tani ata duhet të zbatojnë reforma dhe të angazhohen për të qenë pjesë e atij komuniteti. Dhe derisa e bëjnë këtë, unë mendoj se tensionet do të ulen dhe ata do të kenë një marrëdhënie më të madhe”, tha ai.REL

Megjithë apelin e presidentit Zelenskyy në Uashington, ndihma për Ukrainën ende në pikëpyetje

VOA/Anita Powell

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy duke folur në krah të Presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bradhë, u bëri thirrje ligjvënësve amerikanë të martën që të miratojnë 61 miliardë dollarë ndihmë për vendin, ndërsa Kievi vazhdon të luftojë kundër agresionit rus. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, të dy udhëheqësit thonë se pa këto fonde Ukraina do të përballet me një dimër të ftohtë dhe të zymtë.

Presidenti amerikan dhe ai ukrainas thanë se pasojat do të jenë të tmerrshme nëse Ukraina nuk merr fondet që i duhen për të luftuar kundër agresionit rus, ndërsa dimri po afron.

Republikanët në Kongres vazhdojnë të kundërshtojnë miratimin e një ndihme të tillë. Të martën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi ligjvënësve që të miratojnë kërkesën prej 61 miliardë dollarësh të presidentit Joe Biden deri në fund të javës.

Republikanët thonë se duan të sigurohen që fondet janë nën “mbikëqyrjen e duhur” dhe gjithashtu duan të shohin “një artikulim të qartë të strategjisë” të Ukrainës.

Presidenti Biden u zotua për mbështetjen e tij të vazhdueshme, ndërsa akuzoi republikanët se po ndihmojnë Moskën duke mos e miratuar ndihmën.

“Drejtuesi i një emisioni televiziv që drejtohet nga Kremlini tha, ‘bravo republikanë. Kjo është mirë për ne”. Nëse merrni lëvdata nga propagandistët rusë atëherë mund të jetë koha për të rimenduar atë që po bëni. Historia do t’i gjykojë ashpër ata që i kthejnë shpinën kauzës së lirisë”, tha Presidenti Biden.

Zoti Zelenskyy vazhdoi të bënte thirrje për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe tha se kombi i tij nuk do të falë territor.

“Unë do t’i pyesja këta njerëz nëse do të ishin të gatshëm t’i dorëzonin fëmijët e tyre te terroristët. Unë nuk mendoj se do të donin”, thotë zoti Zelenskyy.

Ministria e Jashtme e Rusisë akuzoi Presidentin Zelenskyy se është një kukull e Shteteve të Bashkuara.

Taksapaguesit amerikanë po tregojnë shenja lodhjeje në lidhje me situatën në Ukrainë dhe disa republikanë pyesin pse rreth një e treta e parave të SHBA-së nuk shfrytëzohen për armë, por për të ndihmuar qeverinë ukrainase.

John Jameson, aktivist për spastrimin e minave që vizitoi së fundmi vendin, tha se Ukraina ka nevojë për çdo qindarkë.

“Njerëzit që bëjnë çminimin po punonin ndërsa dëgjonim zhurmën e artilerisë që po vazhdonte. Ata po e bëjnë këtë sepse e dinë se është thelbësore që të jenë në gjendje të fillojnë mbjelljet dhe prodhimin tani në mënyrë që jo vetëm të luftojnë, por edhe të mund të jetojnë. Jo, ne nuk mund të presim derisa të mbarojnë luftimet”, thotë zoti Jameson.

Analistët thonë se lufta mund të zgjasë më shumë se një vit dhe shtrojnë pyetjen nëse Ukraina po merr mbështetjen e duhur, duke pasur parasysh arritjet e ushtris së saj të vogël përballë një armiku shumë më të madh.

“Ata janë bërë viktima të suksesit të tyre. Unë nuk mendoj se duhet të kërkojmë nga ukrainasit të bëjnë më shumë po të kemi parasysh ndihma e vogël ushtarake që ju jepet. Ata po marrin një sasi tepër të vogël municionesh, artilerie me rreze të gjatë veprimi dhe me preçizion të lartë, mbrojtjes ajrore. Unë mendoj se ata po përdorin vërtet në mënyrë mbresëlënëse burimet shumë të kufizuara që u jepen, kundër një kundërshtari shumë më të madh”, thotë Dalibor Rohac, studiues në Institutin “Amerikan Enterprise”, ku studion ekonominë politike të Bashkimit Evropian dhe marrëdhëniet transatlantike.

Tani i takon Kongresit të vendosë nëse Ukraina e merr atë që kërkon përpara ardhjes së pashmangshme të një armiku mizor që godet pa mëshirë: Dimrit.

Shtëpia e Bardhë paralajmërim urgjent Kongresit për miratimin e fondeve për Kievin

Marrë nga Associated Press

VOA – Administriata e Presidentit Biden i dërgoi të hënën një paralajmërim urgjent Kongresit mbi nevojën për të miratuar dhjetra miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke thënë se pa këto fonde, luftimet e Kievit ndaj Rusisë mund të mos vazhdojnë dot më.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, e cila u bë e ditur për publikun, Drejtoresha e Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Shalanda Young paralajmëroi se në fund të këtij viti, Shteteteve të Bashkuara do t’i mbarojnë fondet për të dërguar armatime dhe ndihmë për Ukrainën, duke shtuar se një gjë e tillë do “t’u priste gjunjët” ukrainasve në fushën e betejës.

Ajo shtoi se Shteteve të Bashkuara u kanë mbaruar fondet që kanë përdorur për të mbështetur ekonominë e Ukrainës dhe “nëse ekonomia e Ukrainës shembet, Ukraina nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë luftimet. Paratë na kanë mbaruar, por pothuajse po na mbaron dhe koha”, shkroi ajo.

Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e një paketë ndihme prej afro 106 miliardë dollarësh, ku përfshihet ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe nevoja të tjera, por është përballur me reagim të vështirë në Kapitol, ku po rritet skepticizmi mbi nivelin e ndihmës ndaj Kievit. Madje edhe republikanët që mbështesin paketën e ndihmës, po këmbëngulin, duke vënë si kusht për miratimin e saj, ndryshimin e politikave për të ndaluar vërshimin e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë.

Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve, që kontrollohet nga republikanët, ka miratuar një paketë ndihme vetëm për Izraelin, që po lufton kundër Hamasit në Gazë. Shtëpia e Bardhë ka ruajtur qërdrimin se duhet miratuar të gjitha fondet.

Kongresi tashmë ka lëvruar 111 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë 67 miliardë dollarë fonde për armatime, 27 miliardë dollarë për të mbështetur ekonominë dhe 10 miliardë dollarë ndihmë humanitare.

Zonja Yound thotë se i gjithë ky fond, me përjashtim të 3 për qind nga fondi për armatimet, ka mbaruar që në fund të nëntorit.

Administrata e Presidentit Biden ka thënë se gjatë javëve të fundit ka ngadalësuar ritmin e ndihmës ushtarake për Kievin, me qëllim që ajo të zgjasë derisa Kongresi të miratojë fondet e tjera.

“Nuk kemi më para për të mbështetur Ukrainën në këtë luftë. Ky nuk është një problem që i takon vitit tjetër. Koha që të ndihmojmë Ukrainën demokratike të luftojë ndaj agresionit rus, është tani. Është koha që Kongresi të veprojë”, shkroi zonja Young.

Letra vjen pasi zyrtarë të mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare informuan në një takim me dyer të mbylluara, në 29 nëntor, udhëheqësit më të lartë të Dhomës së Përfqësuesve dhe Senatit mbi nevojën për miratimin e paketës së ndihmës.

Takimi u zhvillua në një kohë kur Kongresi është përfshirë në debate mbi paketën e ndihmës prej afro 106 miliardë dollarësh që ka kërkuar Presidenti Biden, që përfshin 61 miliardë fonde për Ukrainën, por që po pengohet nga kërkesat e republikanëve për të ndryshuar politikat e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë.


Send this to a friend