VOAL

VOAL

Joe Dioguardi: Dështim i plotë prandaj mjaft më kësaj klase politike!

Intervistë tek KOHA TV Interaktiv e Kongresmenit dhe Presidentit të LQSHA Joe DioGuardi. DioGuardi është shumë kritik ndaj kësaj klase politike.

SHBA i dorëzon Spanjës letrën e vjedhur të Kristofor Kolombit

Një letër e 500 viteve më pare e shkruar nga Kristofor Kolombi, që tregon zbulimet e tij në Amerikë, iu dorëzua Spanjës, pasi ishte vjedhur më parë në Biblotekën Kombëtare të Katalonjës, në Barcelonë.

Letra ishte dorëzuar në Uashington nga prokurori amerikan David C Weiss, pas shtatë vitesh hetime, kur policia kishte marrë një sugjerim për disa letra të shekullit XV që ishin vjedhur nga bibliotekat europiane, ku ishin ndërruar me letra të falsifikuara.

Hetimet treguan se letra e vjedhur ishte shitur në nëntor 2005 për shifrën 600 mijë euro, dhe në qershor 2011 për 900 mijë euro.

Prokuroria e distriktit të Delaware në SHBA nxorri një mandat për rikuperimin e letrës për personin që e dispononte, pa bërë të ditur se si funksionarët arritën të zbulonin identitetin e personit posedues.

Dokumentit iu bë një analizë për të vërtetuar autenticitetin si dhe u stabilizuan marrëveshjet për dorëzimin e saj.

Letra iu dorëzua ambasadorit të Spanjës në SHBA, Pedro Morenes.

”Ceremonia e sotme është një vitrinë e lidhjeve që bashkojnë SHBA me Spanjën. Bashkëpunimi dhe hetimet ishin shumë efikase për të bërë të mundur kthimin e këtyre pasurive kulturore në Spanjë’’, theksoi Morenes.

Trumpi deklaron se mund ta ftojë Kimin në SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ai do të konsiderojë mundësinë që t’i bëjë ftesë liderit verikorean, Kim Jong Un në Shtëpinë e Bardhë, nëse punimet në samitin e Singaporit shkojnë mirë.

Trump i ka bërë këto komente pasi është takuar me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, për të diskutuar samitin e 12 qershorit.

Ai ka thënë se është e munduar arritja e një marrëveshje për t’i dhënë fund Luftës Koreane, ndonëse ai këtë proces e ka cilësuar “pjesë të lehtë” të negociatave.

“Çfarë do të ndodhë pas atij procesi është shumë e rëndësishme”, u ka thënë ai gazetarëve.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj rajonalë dëshirojnë që Koreja Veriore të heqë dorë nga armët bërthamore, mirëpo Trump ka pranuar se për të arritur në atë pikë nuk mjafton një takim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, duke folur më vonë në Shtëpinë e Bardhë ka thënë se Kim Jong-un ka dhënë shenja se ai personalisht ka gatishmëri për të denuklearizuar Gashishullin Korean, ndonëse nuk është e qartë nëse synimet e tij përkojnë me kërkesat e SHBA-së.

Hawaii, llava formon sipërfaqe të reja tokësore duke mbushur ujërat

Wendy Stovall, gjeologe në Qendrën Amerikane të Vrojtimeve Gjeologjike, tha se disa rajone në Hawaii janë zhdukur në tërësi, ndërsa disa gjire janë mbushur me llavë, me çka janë formuar sipërfaqe të reja tokësore

HONOLULU – Llava e nxjerrë nga Vullkani Kilauea i aktivizuar në fillim të muajit të kaluar në Hawaii të SHBA-së, ka filluar të formojë sipërfaqe të reja tokësore duke mbushur ujërat në rajon.

Wendy Stovall, gjeologe në Qendrën Amerikane të Vrojtimeve Gjeologjike, tha se disa rajone në Hawaii janë zhdukur në tërësi, ndërsa disa gjire janë mbushur me llavë, me çka janë formuar sipërfaqe të reja tokësore.

Stovall tha se qendra turistike “Vacationland” është gëlltitur në tërësi nga llava, duke shtuar se në rajonin e Kapohos llava ka formuar sipërfaqe të reja tokësore duke u derdhur në gjirin ujor.

Stovall paralajmëroi shpërthime edhe më të mëdha të vullkanit.

Afër dy mijë persona në Hawaii janë evakuuar në vende të sigurta për shkak të llavës, shkëmbinjve dhe gazit helmues të nxjerrë nga Vullkani Kilauea, i cili u aktivizua në fillim të muajit maj. aa

Trump shtron iftarin e parë në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka shtruar iftarin e parë në Shtëpinë e Bardhë ku morën pjesë përfaqësues të misioneve të huaja në Washington nga disa vende me shumicë myslimane.

Trump i cili ka filluar detyrën e tij para një viti e gjysmë ka shtruar për herë të parë iftar në Shtëpinë e Bardhë.

Trump doli nga tradita e Shtëpisë së Bardhë për shkak se nuk organizoi iftar vitin e kaluar. Këtë vit me një ftesë me pjesëmarrje të ngushtë ai ka pritur kryesisht përfaqësues të misioneve të jashtme në Washington.

Lista e pjesëmarrësve nuk është bërë e ditur nga Shtëpia e Bardhë, por sipas njoftimeve të bëra nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë mësohet se në këtë program kanë marrë pjesë përfaqësues diplomatikë të Arabisë Saudite, Jordanisë, Egjiptit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Tunizisë, Irakut, Katarit, Bahreinit, Marokut, Algjerisë dhe Libisë.

Në një fjalim të shkurtër para hapjes së iftarit, Trump u ka uruar muajin e Ramazanit të gjithë botës myslimane duke thënë se ka kënaqësinë që pret në Shtëpinë e Bardhë përfaqësues nga vendet me shumicë të popullsisë myslimane.

Pasi ka rikujtuar se vizitën e tij të parë jashtë vendit e ka zhvilluar në Lindjen e Mesme dhe në Arabinë Saudite, Trump tha se “Ne mund të arrijmë një të ardhme ku do të ketë siguri dhe prosperitet për të gjithë ne, vetëm duke punuar së bashku”.

Protestë jashtë Shtëpisë së Bardhë

Nga ana tjetër, disa OJQ myslimane që kanë protestuar ndaj retorikës islamofobe të Trump si dhe për atë që nuk janë ftuar në iftarin e shtruar në Shtëpinë e Bardhë, kanë zhvilluar një program iftari “alternativ” në Lafayette Park para Shtëpisë së Bardhë.

Në iftarin jashtë Shtëpisë së Bardhë morën pjesë përfaqësues të organizatave kryesore të shoqërisë civile në SHBA si Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islame (CAIR) dhe Bashkësia Islame e Amerikës së Veriut (ICNA).

Rreth 150 muslimanë amerikanë me ardhjen e kohës fillimisht kanë falur namazin e akshamit dhe më pas së bashku kanë vazhduar iftarin.

Zahid Buhari, drejtori i ICNA-së për AA deklaroi se “Në iftarin e organizuar në Shtëpinë e Bardhë mos ftesa jonë si përfaqësues të miliona myslimanëve në Amerikë është një shembull i qëndrimit të Trump-it ndaj myslimanëve dhe Islamit”.

“Nëse liderët e rëndësishëm muslimanë të Amerikës nuk janë ftuar për një aktivitet për të përkujtuar Ramazanin, atëherë qëllimi nuk është toleranca, por për fat të mirë shtruan një iftar pas 17 muajsh pasi vitin e kaluar nuk e bënë dhe po ashtu kanë rikujtuar praninë e Ramazanit pavarësisht se edhe kjo gjysëm. Gjithashtu edhe ne jemi këtu për ta plotësuar këtë gjysmë-iftar, dhe ne po bëjmë iftarin tonë pikërisht drejt përpara Trump-it”, tha Buhari.

Në protestë në mbështetje të myslimanëve ka marrë pjesë edhe prifti i krishterë Ruben Eckels, i cili duke tërhequr vëmendjen në retorikat islamofobe të Trump-it tha se “Ne ndodhemi këtu për të mbështetur vëllezërit tanë myslimanë të cilët përballen me diskriminim, pabarazi dhe ofendime, gjëra të cilat nuk duhet të ndodhin në këtë vend”.

Programet e iftareve janë mbajtur në Shtëpinë e Bardhë për gati 20 vjet deri në vitin 2016, edhe në periudhat e mëparshme të presidentëve të SHBA-ve si Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama. Presidenti i SHBA-ve Trump e braktisi këtë traditë vitin e kaluar në Ramazan, duke mos shtruar iftar në Shtëpinë e Bardhë gjë e cila shkaktoi edhe reagime në publik.

Trumpi ia fal dënimin një trafikanteje droge pas kërkesës së Kim Kardashianit

Presidenti Donald Trump i ka falur dënimin me burgim të përjetshëm Alice Marie Johnson, çështja e së cilës u mor në mbrojtje nga ylli i programeve televizive “reality TV” Kim Kardashian West.

Në muajin maj Kim Kardashian West u takua me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe i kërkoi presidentit ta falte 63 vjeçaren Johnson 63, e cila po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për një vepër kriminale të lidhur me drogën, por pa qenë e përfshirë në veprime të dhunshme.

Në vitin 1996 Xhonson u dënua për tetë akuza, që kishin të bënin me një operacion të trafikimit të kokainës me bazë në Memfis.

Sipas njoftimeve, kontaktet e saj me tregtarët e drogës ndodhën pasi ajo kishte humbur vendin e punën, i ishte vrarë djali, ishte divorcuar nga i shoqi dhe ja kishte marrë shtëpinë banka, ngaqë nuk kishte qenë në gjendje të paguante kredinë.

Ryan hedh poshtë thëniet e Presidentit për një informator të FBI-së në fushatën e tij

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, të mërkurën e hodhi poshtë pretendimin e Presidentit Donald Trump, se FBI-ja kishte një “spiun” në fushatën e tij eletorale të vitit 2016.

Trump e ka cilësuar shfrytëzimin e një informatori nga FBI-ja, për të marrë detaje të bisedave të tij me tre zyrtarë të fushatës së tij elektorale, “Spygate”, apo një “skandal spiunësh”.

Presidenti republikan pretendon se FBI-ja kishte futur një spiun në fushatën e tij, në përpjekje për të minuar garën e tij presidenciale.

Mediat e identifikuan informatorin në fjalë, si Stefan Halper, profesor në Universitetin Cambridge të Britanisë, i lindur në Shtetet e Bashkuara.

Paul Ryan, udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, kohët e fundit shqyrtoi informacionet e klasifikuara lidhur me përdorimin e informatorit nga FBI-ja, si pjesë e hetimit që po zhvillohet lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Ai u tha gazetarëve se ishte dakord me vlerësimin e një tjetër ligjvënësi republikan, Trey Gowdy, i cili kishte studjuar dokumentacionin lidhur me këtë çështje dhe arriti në përfundimin se FBI-ja nuk kishte bërë asgjë të keqe.

Gowdy, ligjvënës i Karolinsë së Jugut, tha: “Jam i bindur që FBI-ja ka bërë pikërisht atë që kanë dashur që ajo të bënte qytetarët tanë, për sigurimin e informacioneve dhe kjo nuk kishte të bënte aspak me Donald Trump-in. Informatorët përdoren gjithmonë nga punonjësit e zbatimit të ligjit.”

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Ryan tha: “Unë mendoj se vlerësimi i ligjvënësit Gowdy është i saktë.”

Megjithatë, ai shtoi se: “Hetimet duhet të vazhdojnë. Ka dokumente të tjera që duhen shqyrtuar.”

E pyetur lidhur me komentet e ligjvënësit republikan Gowdy, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se presidenti “vazhdon të ketë shqetësime lidhur me çështjen në se FBI-ja ka vepruar në mënyrë të përshtatshme, duke patur njerëzit e saj në fushatën e tij elektorale.”

Trumpi sulmon shtypin lidhur me mbulimin mediatik të Zonjës së Parë

Presidenti amerikan Donald Trump i rifilloi sulmet ndaj mediave të mërkurën, duke thënë se ato ishin treguar të “të padrejtë” dhe “të egër” ndaj gruas së tij Melania, e cila ka bërë pak dalje publike që nga koha kur u shtrua në spital muajin e kaluar.

Zoti Trump tha se Zonja e Parë “është mirë” dhe ka akuzuar shtypin për raportimin e lajmeve të gabuara në lidhje me gjendjen e saj shëndetsore dhe vendndodhjen e saj pas kryerjes së një ndërhyrjeje në veshkë, pas së cilës Zonjës së Parë i duhej të qëndronte pesë ditë në spital.

Presidenti tha se gazetarët e kanë parë Melania Trump-in “duke ecur pa asnjë shqetësim” në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar dhe në vend të raportonin këtë gjë nxitën një “tregim të sëmurë” se ajo ishte në gjendje të keqe dhe nuk qëndronte më në Shtëpinë e Bardhë.

Zonja e parë qëndroi jashtë vëmendjes së publikut për më shumë se tre javë që kur u shtrua në spital, përpara se shfaqej në një pritje private në Shtëpinë e Bardhë që u zhvillua të hënën.

Ndërsa mungesa e saj në ngjarje publike tërhoqi vëmendje të madhe, Melania Trump kritikoi mediat në një postim në Twitter. Ajo tha se mediat “po punonin jashtë orarit” duke spekulluar rreth saj, duke shtuar se ajo” ndihej shumë mirë”.

Zonja e Parë pritet ta shoqërojë presidentin për një konferencë të mërkurën në selinë e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave Federale në Uashington. Kjo do të jetë dalja e saj e parë jashtë Shtëpisë së Bardhë që nga 10 maji.

Zyrtarja që bëri shaka me sëmundjen e McCainit, largohet nga puna

Senatori amerikan, John McCain.

Një ndihmëse për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, e cila ka bërë shaka me sëmundjen e senatorit John McCain, u largua nga detyra.

Muajin e kaluar, është raportuar se Kelly Sadler ka thënë se vota e McCainit nuk ka rëndësi, sepse ai “po vdes”.

Ajo i ka bërë këto komente në një takim për drejtoren e CIA-s, Gina Haspel, emërimin e së cilës e ka kundërshtuar McCain.

McCain, 81 vjeç, vuan nga një formë e rrallë e kancerit në tru.

“Kelly Sadler nuk është më e punësuar në Zyrën Ekzekutive të Presidentit”, konfirmoi për BBC-në zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah.

Pas komenteve të bëra, Sadler raportohet se i ka telefonuar vajzës së senatorit, Meghan McCain, për t’i kërkuar falje.

Caktohet ora e takimit Trump-Kim Jong un

Presidenti amerikan, Donald Trump, në një deklaratë më 1 qershor tha se më 12 qershor në Singapor do të takojë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un

UASHINGTON – Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se takimi në mes të presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un do të realizohet më 12 qershor në orën 09:00 sipas orës lokale në Singapor.

Sanders në brifingun e saj ditor në Shtëpinë e Bardhë dha deklarata në lidhje me samitin Trump-Kim.

Ajo tha se përgatitjet për samitin vazhdojnë shumë mirë. “Presidenti çdo ditë informohet në brifingun ditor në lidhje me Korenë e Veriut nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare. Në kuadër të kësaj mund të them se takimi i parë (Trump-Kim) do të fillojë më 12 qershor në orën 09:00, sipas orës lokale në Singapor”, tha Sanders.

Zëdhënësja u përgjigj edhe në lidhje me pyetjen për letrën e Kim të pranuar nga Trump. Ajo tha se nuk do të hyjë në përmbajtjen e letrës por sipas saj shprehjet në letër “kanë treguar se janë në rrugë të drejtë”.

Ndërsa lidhur me pyetjen se “SHBA-të do të vazhdojë apo jo fushatën e presionit në maksimum ndaj Koresë së Veriut”, Sanders tha se sanksionet ndaj këtij shteti do të mbesin aktive derisa Gadishulli Korean të pastrohet nga armët bërthamore.

Presidenti amerikan, Trump, në një deklaratë më 1 qershor tha se më 12 qershor në Singapor do të takojë liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

Trump këtë deklaratë e ka dhënë pas takimit me zyrtarin e lartë verikorean, Kim Yong Chao në Shtëpinë e Bardhë.

Ai nuk ka pretenduar asnjëherë se vetëm me një samit në Singapor do të përmirësohet gjithçka. “Ky është një proces, do të marrë kohë. Kurrë nuk kam thënë një takim të vetëm. Këtë e shohim si një proces”, ka potencuar Trump. aa

Mueller ngre akuza të reja kundër ish-kryetarit të fushatës së Trumpit

Paul Manafort

Robert Mueller, këshilltari i posaçëm amerikan që po heton ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA më 2016, ngriti akuza të reja kundër ish-udhëheqësit të fushatës së presidentit Donald Trump, duke thënë ai ka bërë përpjekje të manipulojë me dëshmitarë.

Mueller tha se Paul Manafort, në liri me kusht, në pritje të gjykimit, ka bërë vazhdimisht përpjekje të komunikojë me dy persona nga Grupi Hapsburg, një firmë me të cilën ka punar përpara vitit 2014, për të promovuar interesat e ish-presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Në dosjen që Mueller dorëzoi në gjykatë, thuhet se FBI ka dokumente, deklarata dhe regjistrime telefonike që tregojnë se Manafort ka bërë përpjekje të komunikojë me dëshmitarë të mundshëm në muajin shkurt, në shkelje të kushteve të lirimit të tij me kusht.

Manafort është akuzuar më herët për pastrim parash, dështim për t’u regjistruar si agjent i huaj dhe mashtrim me taksa.

Ai nuk e ka pranuar fajësinë.

Manafort është anëtari më i lartë i fushatës së Trumpit që paditet, edhe pse asnjë prej akuzave kundër tij deri më tash nuk lidhen me aktivitetet e tij gjatë kohës sa ka qenë kryetar i fushatës së Trumpit, në vitin 2016.

Një numër akuzash lidhen me punën e tij për Yanukovychin, i cili është rrëzuar nga pushteti në vitin 2014 dhe tani jeton në mërgim në Rusi.

SHBA arreston një ish-zyrtar që donte të spiunonte te Kina

Ilustrim

Një ish-oficer i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në SHBA u arrestua pas përpjekjeve për të spiunuar te Kina për Shtetet e Bashkuara.

Ron Rockwell Hansen, 58 vjeç, u arrestua në rrugën drejt aeroportit në Sietëll, nga ku do të fluturonte për në Kinë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se Hansen akuzohet për përpjekje për të transmetuar informacione rreth mbrojtjes kombëtare dhe për marrjen e së paku 800 mijë dollarëve për të vepruar si agjent i Kinës.

Ndihmësi i prokurorit të përgjithshëm, Jihn Demers, tha se veprimet e dyshuara të Hansenit janë “tradhti ndaj sigurisë kombëtare” dhe “fyerje për ish-kolegët e tij të inteligjencës”.

Nëse dënohet për spiunazh në tentativë, Hansen përballet me dënimin maksimal: burgim të përjetshëm.

Presidenti Trump thotë se ka të drejtën të falë veten

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se studiuesit ligjorë kanë konfirmuar se ai ka “të drejtën absolute për të falur” veten, por e vuri në diskutim nëse do ta bënte ose jo një gjë të tillë, përderisa nuk ka “bërë asgjë të keqe” në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Duke komentuar të hënën në Twitter, zoti Trump e quajti përsëri hetimin e drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller “një gjueti shtrigash që nuk po përfundon kurrë”.

Të dielën, avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani tha se presidenti, që ka falur tre figura konservatore të dënuar për krime “nuk ka synim të falë veten”. Por zot Giuliani shtoi se “do të ishte një pyetje e hapur” nëse mund ta bënte një gjë të tillë, megjithëse e pranoi që do të ndodhte një stuhi politike në Shtetet e Bashkuara, nëse e bënte një gjë të tillë.

“Është e paimagjinueshme që ai të falë vetveten dhe ndoshta do të sillte si rezultat menjëherë ngritjen e akuzave për shkarkim”, tha zoti Giuliani për televizionin NBC.

Në një postim tjetët në Twitter, zoti Trump tha se emërimi i zotit Mueller, para një viti me gjithë kundështimet e tij “është krejtësisht JOKUSHTETUES! Megjithatë, ne luajmë lojën sepse unë, ndryshe nga demokratët, nuk kam bërë asgjë të keqe”.

Zoti Giuliani tha në televizionin ABC se është “një pyetje e hapur” nëse zoti Trump do t’u përgjigjet pyetjeve nga anëtarë të ekipit të zotit Mueller, por se avokatët e tij po anojnë nga vendimi për të mos ta lejuar atë që të intervistohet.

Zoti Trump ka thënë prej kohësh se do që t’u përgjigjet pyetjeve të Prokurorit Mueller, por zoti Giuliani tha se “po merr formë” zgjidhja për të mos e lejuar udhëheqësin amerikan të intervistohet. Zoti Giuliani ka lënë të kuptohet se zoti Trump mund të zihet në një kurth padie të rreme dhe të akuzohet se ka gënjyer nën betim, një vepër penale.

Zoti Giuliani, tha se ekipi ligjor i zotit Trump mund të lejojë një intervistë nëse është “e shkurtër dhe vetëm për temën”, por gjasat më të mëdha janë që të mos ta lejojë.

Avokatët e Presidentit Trump argumentuan në një letër me 20 faqe dërguar Prokurorit Mueller në janar, para se zoti Giuliani të bëhej pjesë e ekipit ligjor, se ai nuk mund të detyrohet të dëshmojë dhe se ai nuk ka se si të ketë penguar drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey kur ai drejtonte hetimin për Rusinë sepse si president ai ka kompetenca të pakufizuara për të ndërprerë hetimin.

Zoti Giuliani e quajti letrën, për të cilën njoftoi së pari gazeta “The New York Times”, “shumë, shumë bindëse.” Ai tha se avokatët e zotit Trump do ta sfidonin në gjykatë çdo përpjekje për ta detyruar Presidentin Trump t’u përgigjej pyetjeve.

Vullkani në Hawaii, brenda 24 orëve ndodhin 500 tërmete

Brian Shiro nga Observatori i Vullkaneve në Hawaii pranë USGS-së, tha se 500 dridhje të tokës janë regjistruar brenda 24 orëve në fundjavë në rajon

Pesëqind tërmete janë regjistruar brenda 24 orëve në rajonin e vullkanit Kilauea në Hawaii të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Qendra Amerikane e Vrojtimeve Gjeologjike (USGS) njoftoi se një tërmet prej 5,5 ballësh sipas Rihterit ka ndodhur me epiqendër pesë kilometra në jugperëndim të vullkanit, në thellësi prej 1,1 kilometrash.

Sipas një raportimi në CNN, Autoriteti i Mbrojtjes Civile në Hawaii ka thënë në një deklaratë se pas tërmetit që ka ndodhur në orët e mëngjesit sipas kohës lokale, hiri vullkanik i nxjerrë nga vullkani Kilauea ka arritur në rreth 2,5 kilometra lartësi mbidetare.

Brian Shiro nga Observatori i Vullkaneve në Hawaii pranë USGS-së, tha se 500 dridhje të tokës janë regjistruar brenda 24 orëve në fundjavë në rajon.

Autoritetet thonë se një numër i madh njerëzish kanë ngelur pa zgjidhje në rajon për shkak të llavës pas shpërthimit të vullkanit, duke paralajmëruar personat e mbetur në rajonin e privuar nga uji, energjia elektrike dhe telefoni që të largohen sa më parë, para se lava t’ua presë rrugën.

Zyra e Zjarrfikësit të Hawaiit bëri të ditur se tre persona të bllokuar nga lava në rajonin Kapoho janë evakuuar dje me avion.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile, Talmadge Mango të shtunën kishte deklaruar se llava e nxjerrë nga vullkani Kilauea, i cili shpërthen prej një muaji, ka shkatërruar dhjetë shtëpi të tjera.

87 shtëpi bëhet e ditur të jenë shkatërruar deri më tani si pasojë e llavës.

Afër 2.000 ishin evakuuar në zona të sigurta muajin e kaluar për shkak të llavës, shkëmbinjve dhe gazit helmues të nxjerrë nga vullkani. aa

Sekretari Mattis bën thirrje për vigjilencë ndaj Koresë së Veriut

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë Itsunori Onodera, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut Song Young-moo në Singapor, 3 qershor 2018.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha sot se sanksionet ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut do të hiqen vetëm kur Pheniani të ndërmarrë hapa konkrete për të shpërbërë programin bërthamor. Ai gjithashtu qartësoi se çështja e pranisë së njësive amerikane në Korenë e Jugut nuk do të jetë pjesë e diskutimeve me Phenianin.

Duke folur përkrah homologëve të tij të Koresë së Jugut dhe Japonisë, zoti Mattis u përpoq të ulë pritshmëritë për bisedimet që po zhvillohen mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

“Si ministra të mbrojtjes, ne duhet të ruajmë qëndrimin tonë të përbashkët për mbrojtjen, në mënyrë që në këto kohëra kritike t’u japim diplomatëve tanë mundësinë të negociojnë nga një pozicion i qetë dhe i fortë. Në veçanti tani, duhet të jemi vigjilentë dhe të vazhdojmë të zbatojmë të gjithë rezolutat e Këshillit të Sigurimit për Korenë e Veriut. Koreja e Veriut do të lehtësohet vetëm kur të provojë se ka ndërmarrë hapa të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm drejt çmilitarizimit bërthamor”, deklaroi Sekretari Mattis.

Ministri i mbrojtjes i Koresë së Jugut, Song Young-moo, u shpreh më parë se ishte disi optimist.

“Jam sigurisht shumë i matur për shkak të sjelljeve të Koresë së Veriut në të kaluarën. Megjithatë shikojmë një të ardhme më të ndritur për shkak të masave që ka ndëmarrë rishtazi Koreja e Veriut, dhe duhet të përfitojmë nga ky shans”, tha zoti Song Yong-moo.

Sekretari Mattis tha gjithashtu se çështja e pranisë së njësive amerikane në Korenë e Jugut nuk do të jetë pjesë e diskutimeve gjatë takimit mes Presidentit Trump dhe Kim Jong Unit. Ai tha se nëse palët vendosin të diskutojnë për këtë aspekt, ajo nuk do të ndodhë në kuadrin e bisedimeve me Phenianin.

Presidenti Trump pati bërë thirrje fillimisht për një proces të shpejtë çmilitarizimi bërthamor, duke thënë se përqasja graduale nuk ka funksionuar në të kaluarën. Por, pasi u takua të premten me një zyrtar të lartë koreanoverior, u duk se u tërhoq nga ky qëndrim.

Shkalla e papunësisë në SHBA bie në nivelin më të ulët në 18 vjet

Departamenti i Punës në SHBA

Shtimi i vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara në maj u bë më shpejt sesa pritej, pasi punëdhënësit shtuan 223,000 poste.

Norma e papunësisë ra në 3.8 përqind, krahasuar me 3.9 përqind në muajin paraprak, duke e sjellë atë në nivelin më të ulët në 18 vjet, tha Departamenti amerikan i Punës.

Sondazhet e ekonomistëve kishin parashikuar se do të kishte një shtim prej rreth 188,000 vendeve të punës në maj.

Norma e papunësisë nuk ka qenë kaq e ulët qysh në prill të vitit 2000 dhe tashmë e ka përmbushur parashikimin e Rezervave Federale për 3.8 përqind deri në fund të vitit 2018.

Trump: takimi me Kim Jong Un-in do të mbahet më 12 qershor

Presidenti Donald Trump tha se takimi me udhëheqëson koreanoverior Kim Jong Un do të ndodhë në datën e caktuar, më 12 qershor, në Singapor.

Këto komente persidenti amerikan i bëri pasi priti në Shtëpinë e Bardhë zyrtarin e lartë të Koresë së Veriut, Kim Yong Chol. Ai është zyrtari i parë i lartë i vendit të mbyllur, që vjen për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara në 18 vitet e fundit.

Presidenti Trump tha se gjatë takimit dy-orësh me krahun e djathtë të udhëheqësit koreanoverior, kishin biseduar për një sërë çështjesh, mes të tjerash, për sanksionet ndaj Koresë së Veriut, për të cilat ai tha se do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Ai tha se kishin biseduar me zyrtarin koreanoverio, për t’i dhënë fund luftës rreth 70-vjeçare mes dy Koreve.

Presidenti Trump tha se takimi i 12 qershorit do të jetë i pari, gjatë një procesi të gjatë diplomatik për ndërtimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Ai tha se në këtë proces një rol të rëndësishëm do të kenë Koreja e Jugut, Japonia dhe Kina, fqinjët e fuqishëm të Koresë së Veriut.

Presidenti Trump tha se takimi i një presidenti amerikan me udhëheheqësin koreanoverior duhej të kishte ndodhur shumë vite më parë, të cilin ai e quajti një takim të rëndësishëm për t’i dhënë fund luftës koreane.

I pyetur nga gazetarët nëse kishte hapur çështjen e të drejtave të njeriut me përfaqësuesin e lartë të vendit komunist, Trump tha se kjo çështje nuk ishte diskutuar në takimin e së premtes në Shtëpinë e Bardhë. Por ai tha se udhëheqësit koreanoveriorë janë të interesuar që vendi i tyre të zhvillohet dhe në këtë proces ai tha se fqinjët e tyre do të kenë një rol të rëndësishëm.

Kim Yong Chol erdhi në Uashington nga Nju Jorku, ku zhvilloi dy ditë bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo.

Ai i dorëzoi Presidentit Trump një letër të udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un, por presidenti nuk komentoi mbi përmbajtjen e letrës.

Trump: Kanë marrë fund marrëdhëniet e pandershme tregtare

Trump vendosi tarifa të cilat hynë në fuqi të premten, dhe kanë të bëjnë për importe nga Kanadaja, Meksika dhe BE

UASHINGTON – Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se kanë marrë fund ditët në të cilat SHBA-të kanë qenë të shfrytëzuara në çështjet tregtare. Kjo ishte kundërpërgjigja e ashpër e presidentit Trump për deklaratën e kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeu, i cili kritikoi vendosjen e tarifave nga SHBA për import të çelikut dhe aluminit.

Trump vendosi tarifa të cilat hynë në fuqi sot dhe kanë të bëjnë për importe nga Kanadaja, Meksika dhe Bashkimi Evropian (BE). Paralelisht me këtë, administrata e tij është duke negociuar një marrëveshje të re për tregti të lirë në Amerikën Veriore (NAFTA).

“Sot, kryeministrit kanadez, Justin Trudeau, i është përcjellë ky mesazh: SHBA-të do të bien dakord për një marrëveshje të drejtë, në të kundërtën nuk do të ketë fare marrëveshje”, tha Trump në deklaratën e tij lidhur me NAFTA.

Trudeau nga ana e tij tha se vendosja e tarifave është “tërësisht e papranueshme“, duke paralajmëruar se kjo do të ndryshojë raportet mes dy vendeve, ndërkohë që paralajmëroi vendosjen e tarifave për importet nga Amerika, në vlerë prej 12.8 miliardë dollarë (rreth 11 miliardë euro). aa

Delegacioni verikorean viziton Uashingtonin më 1 qershor

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se takimi ne mes të zyrtarëve verikoreanë dhe atyre amerikanë në Nju Jork ka shkuar “shumë mirë” dhe se delegacioni nga Phenjani pritet të shkojë në Uashington më 1 qershor për t’i dorëzuar Trumpit një letër nga lideri verikorean, Kim Jong Un.
Trump ka njoftuar për takimin e rradhës, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është takuar më 31 maj me personin e afërt të Kimit, gjeneralin Kim Young Chol, në Nju Jork me ç’rast kanë diskutuar plane për mbajtjen e samitit që ishte planfikuar të mbahej më 12 qershor në Singapor.
Kim Yong Chol, diplomati më i lartë verikorean që ka vizituar SHBA-në në 20 vjetët e fundit ka darkuar me Pompeon më 30 maj në Nju Jork, derisa është takuar sërish me të më 31 maj.
Turmp ka anuluar ditë më parë samitin në Singapor, mirëpo të dy palët kanë bërë përpjekje të reja për të zhvilluar takimin siç ishte planifikuar.
Uashingtoni synon denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean në këmbim të disa përftimeve ekonomike për Phenjanin.

8-vjeçari i shkrin të gjithë së qeshuri, përpiqet disa herë të përqafojë Trumpin

Një djalë 8-vjeçar, i cili ndihmoi në inspirimin e legjislacionit federal në nismën “Right to Try” tërhoqi të gjithë vëmendjen të mërkurën gjatë firmosjes nga Presidenti Trump.

Djali, Jordan McLinn, nga Indianapolis, u çua nga karrigia me rrota për të qëndruar pranë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili hidhte firmën e tij në dokumentin e legjislacionit.

Ndërsa Presidenti nënshkruante, djali përpiqej vazhdimisht ta përqafonte. Pas disa përpjekjeve, presidenti e shpërbleu me një përqafim të ngrohte dhe një puthje.

Ai gjithashtu i dha 8-vjeçarit stilolapsin me të cilin firmosi aktin.

SHBA që nga 1 qershori do të aplikojë tarifat doganore shtesë për çelikun dhe aluminin

“SHBA-të që nga 1 qershori do të aplikojnë tarifat doganore shtesë për çelikun dhe aluminin e importuar edhe për Bashkimin Evropian, Kanadanë dhe Meksikën”

UASHINGTON – Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, njoftoi se SHBA-të që nga 1 qershori do të aplikojnë tarifat doganore shtesë për çelikun dhe aluminin e importuar edhe për Bashkimin Evropian, Kanadanë dhe Meksikën.

Ross, në një konferencë për mediat nga Departamenti i Tregtisë ka deklaruar se BE-ja, Kanadaja dhe Meksika do t’u nënshtrohen tarifave të çelikut dhe aluminit pas skadimit të periudhës së përjashtimit të përkohshëm më 1 qershor.

Duke kujtuar se negociatat me BE-në ende vazhdojnë, Ross tha se vendimi për Kanadanë dhe Meksikën ka qenë i lidhur nga mungesa e rezultateve në negociatat që kanë vazhduar që nga viti i kaluar për rinovimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA).

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump më 9 mars njoftoi se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i një tarife doganore me 25 për qind dhe 10 për qind. Për Kanadanë dhe Meksikën, BE-në, Australinë, Argjentinën, Brazilin dhe Korenë e Jugut ishte bërë një përjashtim i përkohshëm deri më 1 qershor. aa

Presidenti Trump u takua me Kim Kardashianin

Ylli televiziv amerikan, Kim Kardashian, takoi presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të diskutuar faljen e mundshme të një gruaje 63 vjeçe, që po shërben dënimin me burgim të përjetshëm.

Alice Marie Johnson është në burg për më shumë se dy dekada, për shkelje që lidhen me drogën.

Presidenti Trump shkroi në Twitter se ka pasur “takim të shkëlqyeshëm” me Kardashian.

 

Great meeting with @KimKardashian today, talked about prison reform and sentencing. pic.twitter.com/uOy4UJ41JF

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 30, 2018

Historia e Johnsonit ka kapur syrin e Kardashianit pasi ajo ka parë një video për rastin, të postuar në mediat sociale.

Kardashian ka thënë se është emocionuar dhe se ka kërkuar nga avokati i saj, Shawn Holley, të shikojë rastin.

Ajo po ashtu po paguan një ekip të ri ligjor për Johnson.

Kardashian i ka bashkuar forcat edhe me Jared Kushnerin, këshilltar i Trumpit, i cili po bën përpjekje për reformimin e burgjeve.

SHBA dënon Sirinë për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit,  Heather Nauert.

 

 

Shtetet e Bashkuara e dënuan vendimin e Sirisë për të njohur dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha përmes një deklarate se SHBA-ja “e dënon fuqishëm synimin e regjimit sirian për të krijuar marrëdhënie diplomatike me rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, të pushtuara nga Rusia”.

“Këto rajone janë pjesë e Gjeorgjisë”, tha Nauert.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi Abkhazinë dhe Osetinë Jugore është i palëkundur”, shtoi ajo.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Gjeorgjia ka thënë se do t’i reduktojë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, pas vendimit të Damaskut për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si vende të pavarura.

Bashkimi Evropian po ashtu e dënoi veprimin e Sirisë, duke thënë se “shkel ligjin ndërkombëtar”.

Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë rajone separatiste, të mbështetura nga Rusia, që kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia.

Rusia i ka njohur ato si shtete të pavarura pas një lufte pesëditore me Gjeorgjinë në vitin 2008.

Venezuela, Nikaragua dhe ishulli Nauru i Paqësorit e kanë njohur po ashtu pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Probleme me shëndetin, shtrohet në spital ish-Presidenti amerikan George H.W. Bush

Ish-Presidenti George H.W. Bush është shtruar përsëri në spital për shkak të presionit të ulet të gjakut. Zëdhënësi i Bush lajmëroi se 93-vjeçari do të qëndrojë në spital për disa ditë.

Në postimin e bërë në Twitter ai tha: “Ish- Presidenti është mirë dhe i vetëdijshëm. Ai po trajtohet në spitalin Southern Maine Health Care dhe po merr kujdesin maksimal. Informacione të mëtejshme për shëndetin e tij do t’i japë familja e tij”. Kjo është hera e dytë në dy muaj që Bush shtrohet në spital.

Ai u shtrua në spital edhe ditën pas funeralit të bashkëshortes së tij, Barbara. Bush qëndroi në spital për 13 ditë për të trajtuar një infeksion.

Gruaja e tij 73-vjeçare u nda nga jeta më 17 prill, vetëm disa ditë pasi familja Bush lajmëroi se po vuante nga shëndeti dhe kishte vendosur të mos kërkonte të tjera trajtime mjekësore.

Giuliani: Prokurorët mund t’i ngrenë kurth Presidentit Trump

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “me ngulm” t’u përgjigjet pyetjeve të hetimit penal për lidhjet e anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë, por një nga avokatët e tij thotë se mbetet skeptik nëse duhet lejuar që Presidenti Trump të përballet me pyetjet e prokurorëve nëse ai pengoi drejtësinë duke u përpjekur të dëmtonte hetimin.

Avokati i Presidentit Trump, ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani, i tha sot kanalit CNN se prokurori i posaçëm Robert Mueller dëshiron ta marrë në pyetje Presidentin për dy tema kryesore: bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë në muajt përpara zgjedhjeve, si dhe nëse u përpoq kur u bë President që të bllokonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin për Rusinë, përpara se të emërohej në këtë detyrë prokurori i posaçëm Mueller.

Zoti Giuliani u shpreh se “jam ok me pjesën për bashkëpunimin pasi e dimë që nuk pati një gjë të tillë. Me pjesën për pengimin e drejtësisë nuk ndjehem komod. Unë nuk jam. Presidenti nuk e ka problem. Ai është i pafajshëm. Unë nuk jam komod më këtë pasi është çështje interpretimi dhe jo diçka konkrete, diçka e vërtetë apo jo e vërtetë”.

Ai shtoi se “nëse i interpreton komentet e tij për shkarkimin e zotit Comey… nëse i interpreton si pengim të drejtësisë dhe jo si shkarkimin e dikujt që po e bën punën keq… pra nëse e shikon si pengim të hetimeve, atëherë mund të thuash se është pengim i drejtësisë”.

Zoti Giuliani tha se anëtarët e ekipit ligjor të Presidentit janë të shqetësuar se ai mund të bjerë në kurthin e dëshmisë së rreme, kur ai të jetë duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve për arsyet e shkarkimit të zotit Comey. Në këtë rast dëshmia e rreme përbën veprën penale të gënjeshtrave nën betim.

Presidenti Trump pret amerikanin e liruar nga Venezuela

Presidenti Donald Trump priti në Shtëpinë e Bardhë 26-vjeçarin Joshua Holt, i cili sapo u kthye në atdhe pasi mbahej në një burg venezuelian që nga vera e 2016.

Në takimin me presidentin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, Joshua Holt falenderoi të gjithë ata që punuan për ta nxjerrë nga burgu. “Dy vitet që kalova në burg,” u shpreh ai, “ishin tepër të rënda. Aspak si pushimet që kisha ëndërruar me rastin e martesës. Por tani jemi bashkë, prandaj jam shumë mirënjohës ndaj të gjithë atyre që u përpoqën për mua”.

Holt dhe bashkëshortja e tij venezueliane Thamara Candelo mbërritën dje në Shtetet e Bashkuara të shoqëruar nga Senatori Bob Corker, i cili ndihmoi për lirimin e të riut.

Holt, ish- misionar mormon, kishte shkuar në Venezulë në qershor 2016 për t’u martuar me të fejuarën Candelo. Ai u arrestua nga policia venezueliane pas një bastisjeje të banesës së çiftit, nën akuzat se u gjetën armë dhe granata në banesë. Çifti i ka hedhur poshtë akuzat se zotëronte armë të fshehta.

Medalja e Nderit për një hero amerikan

Presidenti Donald Trump i ka dhënë nderimin më të lartë ushtarak pjesëtarit të një ekipi elitë të marinës ushtarake amerikane për aktet heroike në vitin 2002 për të shpëtuar një tjetër pjesëtar të ekipit. Duke e nderuar Specialistin Britt Slabinski, Presidenti Trump tha se akti i tij i vetëmohimit në ndihmë të një bashkëluftëtari dëshmon shpirtin e patriotëve amerikanë.

Presidenti Trump i dha Medaljen e Nderit Specialistit Britt Slabinski, i shtati pjesëtar i ekipeve elitë Navy Seal që merr këtë nderim.

“Përmes akteve tua, ke demonstruar se nuk ka dashuri më të pastër, kurajo më të madhe, se sa dashuria dhe kurajoja në zemrat e patriotëve amerikanë. Ne gëzojmë lirinë sepse luftëtarë si ti janë të gatshëm të japin djersë, gjak dhe madje edhe jetën nëse është e nevojshme për këtë vend,” tha presidenti.

Specialisti Slabinski ishte në një mision ushtarak në Afganistan në një zonë malore të mbuluar nga bora në territor ku vepronte al-Kaida.

Thuajse menjëherë ekipi i tij u sulmua nga armiku që arriti të godasë helikopterin e tyre.

Gjatë kaosit, anëtari i ekipit, nënoficeri Neil Roberts ra nga helikopteri dhe u nda nga grupi.

“Mora vendimin se do të realizonim një operacion të shpejtë shpëtimi për të gjetur Neilin,” tregon Specilisti Britt Slabinski.

Slabinski udhëhoqi ekipin, megjithëse më të dobët në numër dhe armatosje se armiku.

“Shumë gjëra nuk ishin në favorin tonë, por nuk mund të prisnim deri sa gjërat të ishin në favorin tonë. Nuk mendoja se koha premtonte për të shpëtuar Neilin. E kisha të qartë kur u nisa se mund të mos kthehesha,” tregon specilisti i nderuar me medalje.

Nën breshërinë e plumbave, Specialisti Slabinski sulmoi pozicionet e al-Kaidës, duke hedhur granata, duke kërkuar mbështetje nga ajri dhe duke mbajtur në krah një shok të plagosur rëndë për ta nxjerrë jashtë zonës së rrezikut.

Tani që mban Medaljen e Nderit, sakrifica dhe trimëria e tij po nderohen nga gjithë bota.

Merret vendimi: Lu ik nga Shqipëria, ja ku caktohet ambasador

Nuk ka me asnje dileme rreth faktit qe ambasadori amerikan do te lere shpejt Shqiperine.

Në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë ne nje publikim te fundit sqarohet tashme i eshte dërguar Senatit lista me 7 levizjet e fundit.

Sipas ketij publikimi, kryediplomati i SHBA ne vendin tone, Donald Lu do te caktohet Ambasador i Jashtëzakonshëm e i Gjithëpushtetshëm i Amerikës në Republikën e Kirgizistanit.

Seanca me ligjvënësit për informatorin që Presidenti Trump e quan “spiun”

Zyrtarë të lartë të zbulimit dhe rendit, pritet të informojnë dy grupe ligjvënësish të enjten në lidhje me hetimin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Një prej senacave do të jetë vetëm me tre republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një tjetër me një grup dypartiak. Takimet vijnë ndërsa presidenti Trump ka intensifikuar sulmet ndaj komunitetit të zbulimit.

Në sesionin e parë zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosentstein, Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats and Drejtori i FBI-së Christopher Wray do të takohen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, kreun e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Davin Nunes dhe kryetarin e Komisionit për Reformë Qeveritare, Trey Gowdy.

Shtëpia e Bardhë e organizoi takimin me tre ligjvënësit republikanë që duan më shumë informacion për një informator të FBI-së që kishte pasur kontakte me zyrtarë të fushatës së zotit Trump gjatë fushatës së vitit 2016.

Demokratët u ankuan se takimi ishte i papërshtatshëm dhe kërkuan një sesion të zgjeruar që të përfshinte një grup dypartiak prej tetë senatorësh dhe anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve.

Kërkesa u plotësua, por jo për të zëvendësuar takimin e parë. Takimi i dytë do të mbahet disa orë pas atij me dy republikanët.

Presidenti Trump përdori termin “SPYGATE” për përdorimin nga FBI-ja të një informatori për të folur me tre nga zyrtarët e fushatës së tij të vitit 2016 duke thënë se kjo “mund të jetë nga nga skandalet politike më të mëdha në histori!”

Zemërimi i zotit Trump kishte në qendër përdorimin e mundshëm të një informatori të FBI-së për të raportuar rreth bisedave mbi politikën e jashtme që ai kishte pasur me tre këshilltarë të zotit Trump: Carter Page, Sam Clovis and George Papadopoulos.

Informatori I FBI-së, është identifikuar si studiuesi amerikan I politikës së jashtme në Universitetin e Kembrixhit, Stefan Halper.

Në kohën që e kishte përdorur Halperin si informator, FBI-ja po hetonte mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me interesa ruse në fazat e fundit të fushatës së vitit 2016, që më pas u shndërrua në hetimin aktual të prokurorit të posaçëm Robert Mueller.

Presidenti Trump ka thënë se FBI-ja e kishte futur Halperin qëllimisht në fushatën e tij për të informuar nga brenda.

Trumpi anulon takimin e nivelit të lartë me Korenë e Veriut

Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se është anuluar takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreno-verior Kim Jong un, pas komenteve të sotme nga autoritetet në Phenian, që u shprehën se Koreja e Veriut është e gatshme për të dyja: ballafaqim bërthamor, ose për bisedime në tryezën e negociatave. Po sot Pheniani u shpreh me terma fyese në adresë të Nënpresidentit Mike Pence, duke e cilësuar si një “politikan kukull”. Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit koreano-verior, Presidenti Donald Trump shkruan se revoltimi dhe armiqësia e hapur e shfaqur në deklaratat e fundit të Phenianit, e bën të papërshtatshëm për momentin zhvillimin e takimit të shumëpritur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot në seancën informuese në Senat, se një ndër arsyet për anulimin e takimit ishte edhe heshtja nga pala koreano-veriore ndaj kërkesave të përsëritura të Uashingtonit për hollësi lidhur me përgatitjet për takimin.

Anulimi i takimit bëhet ndërkohë që Koreja e Veriut përmbushi sot zotimin për të shkatërruar një ndër objektet që përdorej për prova bërthamore, duke kryer shpërthime në Punggye-ri, një rrjet tunelesh nën malin Mantap.

Objekti i provave bërthamore në pjesën e largët veri-lindore të vendit u shkatërrua nga shpërthimet që zgjatën disa orë dhe që u ndoqën në distancë nga gazetarë të huaj.

Koreja e Veriut e kishte bërë të ditur vendimin për ta shkatërruar objektin para se të bëheshin të njohura planet për takim mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Masa ishte përshëndetur si një gjest i vullnetit të mirë nga Pheniani.

Por ekspertët thonë se kjo masë nuk ishte hapi i fundit dhe se nevojitej shumë më tepër për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar administrata Trump Phenianit për çmilitarizim të plotë bërthamor.

Përveç gazetarëve të ftuar, Pheniani nuk kishte lejuar ekspertë të fushës bërthamore të ndiqnin shpërthimet e sotme. Njohës të fushës thonë se edhe pas akteve të ndërmarra sot, objekti nuk është plotësisht jashtë përdorimit, po ashtu Koreja e Veriut ka plot male të tjera ku mund të ndërtohen tunele për prova në të ardhmen.

SHBA parandaloi një sulm të madh kibernetik rus

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka kapur një domen interneti, të kontrolluar nga një grup hakerësh i lidhur me inteligjencën ushtarake ruse, i cili ka planifikuar një sulm të madh kibernetik, me gjasë në Ukrainë.

Autoritetet amerikane thanë se ky domen do t’iu mundësonte hakerëve të marrin kontrollin e kompjuterëve dhe të vidhnin informacione të vlefshme.

Më herët, Agjencia për Siguri e Ukrainës ka paralajmëruar për sulme të mundshme kibernetike nga Rusia gjatë ngjarjeve të mëdha, të tilla si ndeshja finale e Ligës së Kampionëve në futboll, e planifikuar për 26 maj në Kiev.

Ndihmësi i drejtorit të FBI-së, Scott Smith, tha se kjo agjenci amerikane “ka marrë një hap kritik në minimizimin e sulmit kibernetik”.

FBI tha se domeni është krijuar nga një grup hakerësh që e quan veten Fancy Bear.

Ky grup fajësohet për një varg sulmesh në disa qeveri dhe caqe të ndjeshme, si rrjetet e energjisë, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Agjencia Botërore Anti-Doping.

Avokati i Trumpit “është paguar” nga Ukraina për të organizuar takimet në Shtëpinë e Bardhë

Michael Cohen, avokati personal i presidentit amerikan, Donald Trump ka pranuar një pagesë sekrete rreth 400,000 dollarë për të organizuar bisedimet në mes të presidentit ukrainas, Petro Poroshenko dhe Trumpit, është bërë e ditur sipas disa burimeve në Kiev, transmeton BBC.

Pagesa është planifikuar nga ndërmjetësuesit e liderit ukrainas, Petro Poroshenko kanë njoftuar këto burime, ndonëse Cohen nuk ka qenë i regjistruar si përfaqësues për Ukrainën, siç kërkohet me ligjin amerikan.

Takimi ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë në qershor të vitit të kaluar.

Pak kohë pasi Poroshenko është kthyer në shtëpi, agjencia ukrainase kundërkorrupsionit ka ndalur hetimet për ish-udhëheqësin e fushatës së Trumpit, Paul Manafort.

Një zyrtar i inteligjencës ukrainase në administratën e Poroshenkos ka përshkruar se çfarë ka ndodhur para vizitës në Shtëpinë e Bardhë.

Cohen është dërguar në takim, pasi lobistët e regjistruar të Ukrainës dhe ambasada ukrainase në Uashington kanë kërkuar më shumë se vetëm një fotografi të Trumpit me Poroshenkon.

Lideri ukrainas ka kërkuar diçka që mund të portretizohej si “bisedime”.

Deklarata e këtij zyrtari është si vijon: Poroshenko ka vendosur të krijojë një kanal me Trumpin. Detyra i është dhënë një ish-ndihmësi, i cili ka kërkuar ndihmë nga një ligjvënës ukrainas.

Nuk ka ndonjë supozim se Trump ka pasur njohuri për pagesat.

Një burim i dytë në Kiev i ka dhënë detajet e njëjta, mirëpo sipas tij Cohen është paguar 600,000 dollarë.

SHBA, zgjerohet hetimi mbi ndërhyrjen ruse

Departamenti i Drejtësisë do të zgjerojë hetimet lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke përfshirë dhe pretendimet e Donald Trumpit se FBI-ja kishte futur një informator për të përgjuar fushatën e tij presidenciale.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë erdhi pas kërkesës së zotit Trump për një hetim dhe takimin e tij të zhvilluar dje me Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein dhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray.

Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë do të punojë me udhëheqësit e Kongresit për të shqyrtuar dokumente “shumë sekrete”, në lidhje me pretendimin e presidentit Trump.

Pas një takimi dje me presidentin Trump, zoti Rosenstein tha se “nëse dikush përgjon anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet ta dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.

Ndërkohë, Prokurori i Posaçëm Robert Mueller po heton nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë bërë një marrëveshje të fshehtë me Rusinë, duke ndërhyrë në fushatën e vitit 2016. Zoti Mueller po heton gjithashtu, nëse vetë zoti Trump ka penguar drejtësinë, duke shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së James Comey, i cili po hetonte lidhur me akuzat.

Betohet e para grua në krye të CIA-s

Në ceremoninë e betimit të 61 vjeçares Haspel, që u mbajt në selinë qëndrore të CIA-s në dalje të Uashingtonit, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump.

“Gina është e fortë, e vendosur dhe kur vjen puna për të mbrojtur Amerikën, ajo nuk tërhiqet kurrë”, tha presidenti Trump. “Burrat dhe gratë e kësaj agjencie meritojnë udhëheqje të jashtëzakonshme dhe atë po marrin“, tha ai.

Zoti Trump e quajti zonjës Haspel “një person shumë të veçantë … që i ka shërbyer vendit me aftësi dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”.

“Askush në këtë vend nuk është më i kualifikuar se ju për këtë detyrë të jashtëzakonshme”, i tha presidenti zonjës Haspel.

Gina Haspel zëvendëson në këtë detyrë Mike Pompeon, i cili së fundmi mori detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit. Zoti Pompeo ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e betimit të drejtores së re të CIA-s.

Për zonjën Haspel puna e saj në CIA dhe ajo punonjësve të tjerë të shërbimit të fshehtë amerikan është “më shumë se një karrierë”. Sipas saj, ajo ka të bëjë më tepër me “një thirrje” për të mbrojtur vendin nga sulmet terroriste.

Ne jemi më të mirët dhe sfida jonë është të jemi gjithmonë më të mirët”, u tha ajo punonjësve të CIA-s gjatë fjalimit të saj.

Senati amerikan e miratoi kandidaturën e zonjës Haspel të enjten e kaluar me 54 vota pro dhe 45 kundër, duke i dhënë fund një procesi të trazuar të emërimit saj, gjatë të cilit ligjvënësit rishqyrtuan praktikat e mëparshme të marrjes në pyetje që zbatoheshin nga CIA.

Gjashtë demokratë votuan në favor të zonjës Haspel, ndërsa dy republikanë e kundërshtuan emërimin e saj.

Udhëheqësi i shumicës në senatin amerikan Mitch McConnell, një republikan i Kentakit, e vlerësoi zonjën Haspel si “të kualifikuar në mënyrë të veçantë për t’u përballur me sfidat më të mëdha të sigurisë kombëtare të Amerikës”, duke shtuar se ajo “ka fituar respektin dhe admirimin e burrave dhe grave të CIA-s”.

Përzgjedhja nga zoti Trump e zonjës Haspel për drejtimin e agjencisë së zbulimit shkaktoi polemika, duke pasur parasysh gabimet e saj me praktikat e ashpra të marrjes në pyetje të të burgosurve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Amerikë. Ajo gjithashtu shkroi një dokument, nëpërmjet së cilit autorizonte shkatërrimin e video-kasetave të agjencisë së zbulimit, në të cilat sipas shumë studiuesve ligjorë ishin filmuar torturat ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Demokrati Patrick Leahy njoftoi kundërshtimin e tij ndaj zonjës Haspel pak përpara votimit, duke i quajtur disa nga dokumentat mbi veprimtarinë e saj “shqetësuese”.

“Nuk e vë në dyshim angazhimin e znj. Haspel në funksion të sigurinë sonë kombëtare. Ajo ç’ka vë në dyshim është besnikëria e saj ndaj një vlere thelbësore të kombit tonë, asaj që të gjithë njerëzit kanë të drejta të caktuara, të patjetërsueshme”, tha zoti Leahy në një deklaratë duke shtuar se dinjiteti themelor i qenieve njerëzore “është i papajtueshëm me praktikat ç’njerëzore sikurse torturat”.

Gjatë seancës për miratimin e saj, zonja Haspel në mënyrë të përsëritur nuk pranoi të thotë nëse teknikat e ashpra të marrjes në pyetje ishin moralisht të gabuara. Megjithatë javën e kaluar, ajo i shkroi një letër përfaqësuesit më të lartë të demokratëve në komision, Mark Warner, ku shkruante se CIA nuk duhet të kishte kryer praktika abusive të marrjes në pyetje.

“Si drejtore e CIA-s, Gina Haspel do të jetë zyrtarja e parë e operacioneve në më shumë se pesë dekada, që do të udhëheqë agjencinë,” tha zoti Warner në një deklaratë. “Besoj se ajo është dikush që mundet dhe nuk do të lëkundet, nëse presidenti e urdhëron të bëjë diçka të paligjshme apo të pamoralshme siç mund të jetë kthimi tek praktikat e torturës”, tha ai.

Mike Pence: Koreja e Veriut mund ta përjetojë fatin e Libisë

“Këto ditë ka pasur mjaft rrëfime për krizën në Libi. Në këtë kontekst, siç tha në mënyrë të qartë edhe presidenti Trump, Koreja e Veriut mund të përfundojë pikërisht si Libia, nëse Kim Jong – un nuk pajtohet për marrëveshje”, tha Pence

UASHINGTON – Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence paralajmëroi Korenë e Veriut se mund të përjetojë fatin e Libisë, nëse nuk arrihet marrëveshje për programin bërthamor koreanoverior.

“Këto ditë ka pasur mjaft rrëfime për krizën në Libi. Në këtë kontekst, siç tha në mënyrë të qartë edhe presidenti amerikan Donald Trump, Koreja e Veriut mund të përfundojë pikërisht si Libia, nëse Kim Jong – un nuk pajtojhet për marrëveshje”, tha Pence në intervistë për Fox News.

Në pyetjen nëse ky është është kërcënim për regjimin verikorean, Pence tha se kjo është edhe më shumë, realiteti i hidhur që e pret Phenianin.

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton javën e kaluar deklaroi se Washingtoni nuk dëshiron të përsërisë skenarin e Libisë me të cilin ish-presidenti amerikan George W. Bush nënshkroi marëveshjen bërthamore në vitin 2003, ndërsa me intervenim shtesë u përmbys regjimi i Muammar Gaddaffit.

Presidenti i SHBA-ve Trump tha se nuk dëshiron që modelin libian ta zbatojë në Korenë e Veriut, porse doemos duhet të diskutohet për atë nëse nuk arrihet marrëveshje.

Autoritetet e Koresë së Veriut reaguan pas deklaratës së Bolton-it dhe Trumpit, ndërsa deklarata e fundit e Pence mund në mënyrë shtesë të shkaktojë reagime nga Pheniani.

Trump më 12 qershor duhet të takohet me liderin verikorean Kim Jong-un në Singapor. aa

Hetime mbi motivet e përdorimit të informatorit nga FBI

Departamenti amerikan i Drejtësisë, nën presionin e Presidentit Donald Trump, i ka kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të shqyrtojë nëse hetimet e FBI-së lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës janë nxitur nga motive politike.

Të hënën pritet që presidenti të takohet me zëvëndës Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein, drejtorin e FBI-së Wray dhe drejtorin e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Coats lidhur me çështjen e përgjimit.

Departamenti i Drejtësisë veproi pas një postimi në twiter të zotit Trump të dielën. Ai kërkonte që departamenti të shqyrtojë nëse Byroja Federale e Hetimeve “ka përgjuar” fushatën e tij “për qëllime politike” dhe nëse një kërkesë e tillë është bërë nga njerëz brenda administratës Obama”.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili po mbikëqyr hetimin penal të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse, tha se: “nëse dikush ka vëzhguar anëtarët e një fushate presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet të dimë dhe të ndërmarrim veprimet e duhura”.

Veprimi i Departamentit të Drejtësisë shmangu një përplasje të mundshme me zotin Trump.

Brenda pak minutash nga tweetet e presidentit i cili kërkonte hetim për këtë çështje, anëtarët e administratës së ish-Presidentit Barak Obama dhe të tjerë reaguan me alarm. Ata thanë se besonin se kërkesa e zotit Trump për të hetuar, ishte potencialisht ndërhyrja më serioze në sistemin amerikan të drejtësisë, pas shkarkimit nga presidenti të ish drejtorit të FBI-së James Comey, ndërsa ai zhvillonte hetime lidhur me ndërhyrjen e rusisë në zgjedhje.

Të shtunën zoti Trump u ankua se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kishin përgjuar fushatën e tij përmes një informatori. Disa agjenci lajmesh e kanë identifikuar informatorin si Stefan Halper, një profesor amerikan 73-vjeçar i universitetin Britanik të Kembrixhit, i cili ka punuar dekada më parë për tre administrata të tjera republikane.

Melania Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë pas operacionit në veshkë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. Foto nga arkivi

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë pasi i është nënshtruar një operacioni këtë javë, ka njoftuar zyra e saj.

Melania Trump, 48-vjeçare, iu nënshtrua të hënën një operacioni në veshkë në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Uashington, transmeton Reuters.

Zëdhënësja e saj, Stephanie Grisham përmes një deklarate tha se Zonja e Parë është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, mëngjesin e së shtunës.

“Ajo është duke pushuar dhe është në gjendje të mirë. Zyra jonë ka pranuar mijëra telefonata dhe emaile që i kanë uruar shërim të shpejt zonjës Trump dhe ne i falënderojmë të gjithë”, ka thënë ajo.

Trumpi takon Guterresin në Shtëpinë e Bardhë

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se në takimin Trump-Guterres janë diskutuar çështjet të tilla si Koreja e Veriut, Siria, Irani dhe reformat në OKB

UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump ka zhvilluar një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se në takimin Trump-Guterres janë diskutuar çështjet të tilla si Koreja e Veriut, Siria, Irani dhe reformat në OKB.

Bëhet e ditur se gjatë bisedës, Trump ka shprehur mbështetjen ndaj Guterres që OKB të punojë në mënyrë më efikase dhe frytdhënëse. Po ashtu njoftohet se Trump dhe Guterres kanë theksuar se në periudhën në vijim do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për çështjet themelore në fushën ndërkombëtare.

Ndërsa në anën tjetër Trump në një postim nga llogaria e tij në Twiter në lidhje me takimin në fjalë ka shprehur falënderimet e tij për sukseset e Guterres dhe përfaqësueses së përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley. aa

Trump: Departamenti i Drejtësisë kishte futur një “spiun” në fushatë

Presidenti Donald Trump akuzoi Departamentin e Drejtësisë të premten se ishte përpjekur për ta futur në kurth, duke i vendosur një “spiun” në fushatën e tij të vitit 2016, një pohim që vetë avokati i tij, tha se mund të mos jetë i vërtetë.

Duke i dhënë zë një teorie që po qarkullon në qarqet konservatore, zoti Trump citoi një postim në twitter të gazetarit të Fox News-it, David Asman, që shkruante: “mesa duket Departamenti i Drejtësisë ka vendosur një spiun në fushatën e zotit Trump. Kjo nuk është bërë kurrë më parë, për asnjë arsye. U bë me qëllimin për ta futur në kurth Donald Trumpin, për krime që nuk i ka kryer”.

Por avokati i presidentit Trump, Rudy Giuliani, hodhi dyshime rreth kësaj çështjeje.

I pyetur nëse kishte patur një “informator” në fushatën presidenciale të vitit 2016, zoti Giuliani i tha rrjetit mediatik CNN: “nuk e di me siguri as presidenti, nëse ka patur vërtet një të tillë”, megjithëse ai tha se prej kohësh ka patur zëra për “një lloj infiltrimi”.

Javën e kaluar, revista konservatore “National Review”, ngriti pikëpyetje rreth futjes së një agjenti të mundshëm të FBI-së në fushatën e zotit Trump. Artikulli përmend punën e bërë nga ligjvënësi Devin Nunes, një përkrahës i zjarrtë i zotit Trump dhe kryetar i komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili ka kërkuar informacion lidhur me një burim të FBI-së për hetimet lidhur me Rusisë.

Në një shkrim të gazetës “New York Times” këtë javë, thuhej se të paktën një informator i qeverisë është takuar disa herë me Carter Page dhe George Papadopoulos, të dy ish-këshilltarë për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump. Gazeta i referohej si burim zyrtarëve aktualë dhe ish zyrtarëve të FBI-së.

Gjithashtu të premten, zoti Giuliani tha se Prokurori i Posaçëm Robert Mueller i ka ngushtuar subjektet e tij të hetimit nga pesë në dy, ndërsa vazhdojnë negociatat nëse presidenti do të intervistohet prej tij lidhur me hetimin për Rusinë.

Zoti Mueller po heton lidhur me një koordinim të mundshëm mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump.

Sipas zotit Giuliani ekipi ligjor i zotit Trump nuk pret që ai të pyetet për avokatin e tij personal Michael Cohen, i cili po përballet me një hetim të veçantë kriminal në Nju Jork. Zoti Giuliani nuk dha shumë detaje shtesë, duke thënë se disa pyetje janë ende “subjekt negociatash”.


Send this to a friend