VOAL

VOAL

Amerikanët: Obama, presidenti më i mirë

Sipas Pew Research Center, Trumpi është në vendin e katërt
VOAL – Barak Obama ka qenë presidenti më i mirë që Shtetet e Bashkuara kanë pasur ndonjëherë në kohët moderne: 44% e amerikanëve të intervistuar nga Qendra Kërkimore Pew, të botuar nga mediat amerikane, janë të bindur për këtë.
Në vendin e dytë është Bill Clinton, i zgjedhur nga 33% e të intervistuarve, ndërsa Ronald Reagan – vendi i tretë – është preferuar nga 32% e të anketuarve.
19% e amerikanëve zgjodhën presidentin Donald Trump, i cili fitoi vendin e katërt përballë dy ish presidentëve Bush, John F. Kennedyt dhe Franklin Delano Rooseveltit. Sipas qendrës kërkimore Pew, një përqindje e ngjashme e amerikanëve (20%) e preferonte Obamën në rreth gjysmën e kohës së tij.

Trumpi pret thirrje nga Irani

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai pret në të ardhmen të pranojë thirrje nga zyrtarët iranianë, të cilët do të kenë ofertë për të lehtësuar shqetësimet e sigurisë që ka Uashingtoni.

Duke folur në një konferencë për media gjatë samitit të NATO-s në Bruksel më 12 korrik, Trump ka thënë se Teherani është duke trajtuar tani SHBA-në, “me më shumë respekt sesa në të kaluarën”.

“E di se ata janë duke u përballur me shumë probleme dhe se ekonimia e tyre është duke falimentuar”, ka thënë Trump.

“Në të ardhmen ata do të më thërrasim mua dhe do të thonë ‘Le të arrijmë një marrëveshje’. Ata janë duke u përballur me shumë probleme tani”, është shprehur lideri amerikan.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë më 12 korrik se aleatët e SHBA-së duhet të ndihmojnë duke bërë më shumë presion ekonomik në Iran.

Pompeo ka akuzuar Iranin për shitje të armëve në Lindje të Mesme, në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

“Duhet t’i ndalim të gjitha fondet që përdoren për të financim të terrorizmit”, ka thënë Pompeo në një postim në Twitter, para takimit të planifikuar me shefen për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini në kuadër të samitit të NATO-s.

Një zyrtar i FBI-së dëshmon në Dhomën e Përfaqësuesve

Një zyrtar i FBI-së po dëshmon sot përpara dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët po hetojnë akuzat për qëndrimeve të njëanshme brenda agjencisë, kundër Presidentit Donald Trump.

Agjenti i kundër-zbulimit Peter Strzok ka punuar në hetimin e drejtuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për fushatën presidenciale të 2016 dhe pretendimet për bashkëpunim me Rusinë, deri vitin e kaluar, kohë kur u shkarkua për shkak të disa mesazhe që ai pati shkëmbyer me ish-avokaten e FBI-së Lisa Page, mesazhe që tregonin përbuzjen e tyre reciproke për zotin Trump.

Zoti Strzok dhe zonja Page ishin përfshirë në një marrëdhënie romantike në vitin 2016, ndërsa po punonin me hetimin lidhur me serverin e emaileve të ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Presidenti Trump iu referua mesazheve të zotit Strzok dhe zonjës Page për të denoncuar hetimin e zotit Mueller si asgjë më shumë se një “gjueti shtrigash e manipuluar”.

Si mund të vazhdojë një gjueti e sajuar shtrigash atje ku filloi dhe u ndikua për një periudhë të gjatë kohe, nga ish-agjenti/dashnor i FBI-së Peter Strzok?”, shkruante presidenti në një postim në tweeter të mërkurën vonë, ndërsa ndodhej në Bruksel për takimin e NATO-s. “Lexoni këto emaile të mbushura me urrejtje dhe plotësisht të njëanshme dhe përgjigja është e qartë!“, thuhej gjithashtu në postimin e tij.

Zoti Strzok do të dëshmojë të enjten në një seancë të përbashkët dëgjimore të komisionit Juridik e të Mbikëqyrjes si dhe atij për Reformë Qeveritare të Dhomës së Përfaqësuesve, një javë pasi u paraqit përpara këtyre komisioneve në seanca me dyer të mbyllura.

Avancimi i Kinës dhe siguria kombëtare e SHBA

Hartuesit e politikave në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime që lidhen me sigurisë kombëtare mbi paratë kineze që rrjedhin në bizneset e reja amerikane në fusha të tilla si inteligjenca artificiale dhe robotika. Por në Silicon Valley, në qendrën botërore për teknologjinë e lartë dhe inovacionin, mendojnë se lidhjet me Kinën u shërbejnë të dy vendeve, në mënyrë reciproke. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn njofton.

Në Kongresin amerikan egziston një qëndrim i qartë se Kina kërcënon sigurinë amerikane.

Ju siguroj se kërcënimi që Kina paraqet është i vërtetë dhe se rreziqet që na shqetësojnë po zbatohen tashmë. Mosveprimi ynë ka vetëm pasoja negative dhe ne duhet të synojmë të parandalojmë çdo pasojë negative në vendin tonë“, thotë senatori republikan John Cornyn.

Ligjvënësit i druhen përparimeve të Kinës drejt teknologjisë që lidhet me mbrojtjen, të tilla si inteligjenca artificiale dhe robotika.

Por në Silicon Valley, egziston shqetësimi se një goditje ndaj investimeve kineze do të pengojë rritjen dhe inovacionin.

Ata nuk duan të shohin që kjo të ndodhë nëpërmjet tarifave, që kanë ndikim të fortë për të mbyllur tregtinë apo politikat pra të një qasje sikurse një goditje me vare ndaj investimeve kineze, të cilat në përgjithësi kanë qenë të dobishme“, thotë Sean Randolph, i Institutit Ekonomik të Zonës së Gjirit.

Këtu, në atë që vlerësohet si takimi i parë mes SHBA-së dhe Kinës mbi teknologjinë artificiale, fokusi është vendosur tek gjetja e terrenit të përbashkët. Pjesmarrësit thonë se të dy vendet po ecin përpara në aplikimin e kësaj teknologjie në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor, makinat e dronët dhe mund të mësojnë nga njëri-tjetri.

Bashkëpunimi në fushën e teknologjisë është në të mirë të njerëzimit. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me një situatë kur një vend është kundër një tjetri” thotë Tao Wang i kompanisë Saic Capital.

Pavarësisht nga presioni apo dallimet gjeopolitike, parë nga këndvështrimi teknologjik, ne po shohim mundësitë të zgjidhim problemet e shoqërisë, qofshin ato që lidhen me kujdesin shëndetësor, kompiuterat apo transportin“, thotë Helen Liang partnere në menaxhim e kompanisë “Foundersx Ventures”.

Helen Liang është partnere në drejtimin e një firme të specializuar për të ndihmuar kompanitë që të zhvillojnë marrëdhënie biznesi. Ata po përpiqen të fusin në tregun arsimor të Kinës një prej investimeve të tyre të quajtura Piper, një çante kompjuterike që mund ta bësh vetë.

Kompanitë si Piper kanë parë gjithmonë nga Kina për shkak të numrit të madh të klientëve potencialë. Por më shumë kompani në fushën e teknologjisë artificiale po kërkojnë aktualisht ndihmë lidhur me inovacionin.

Ne jemi mësuar me modele biznesesh që krijojnë thyerje në treg, të cilat dalin nga Silicon Valley, po këtu kjo gjë po ndryshon. Tani jemi në FinTech për shembull, duke parë modele të reja biznesi që dalin nga Kina“, thotë Nicolas Miaihe president i kompanisë Shoqëria e së Ardhmes.

“Çarja” është një term i preferuar në Silicon Valley, që përshkruar se si teknologjitë e reja mund të çojnë në rezultate të jashtëzakonshme dhe të paparashikueshme në një industri. Ky potencial entuziasmoi këta sipërmarrës, por shqetësoi ligjvënësit në Uashington.

Senatori amerikan: “Të punosh me Rusinë është sikur të punosh me mafian”

Një senator amerikan, i cili udhëtoi në Rusi së bashku me një delegacion të republikanëve të Kongresit javën e kaluar, tha se presidentit rus, Vladimir Putin, nuk mund t’i besohet. ”Të punosh me Rusinë është sikur të punosh me mafinë”, tha John Kennedy, republikan nga Luiziana.

Ai tha se Qeverisë ruse i është kërkuar që “të ndalojë ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane”.

“I paralajmëruam rusët që nëse ndërhyjnë në zgjedhjet e nëntorit në SHBA, ligjvënësit do t’i godasin me sanksione edhe më të mëdha se ato aktualisht”, tha Kennedy.

Ai tha se ka kërkuar nga rusët që “të dalin edhe nga lindja e Ukrainës dhe t’i mundësojnë asaj të vetëvendosë”, si dhe “të dalin nga Gadishulli i Krimesë dhe t’i mundësojnë atij të vetëvendosë”.

Kennedy shtoi se ka kërkuar nga Moska “të ndalojë edhe ndërhyrjen në Siri dhe të ndihmojë në zgjidhjen e rrëmujës atje”.

Kennedy dhe gjashtë senatorë të tjerë republikanë dhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve qëndruan në Rusi nga 30 qershori deri më 4 korrik. Udhëtimi është parë si uverturë për samtin midis Putinit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili pritet të zhvillohet në Helsinki më 16 korrik.

Ka pasur raporte konfliktuoze rreth këtij udhëtimi, i cili është kritikuar nga demokratët, pasi ka përfshirë vetëm republikanë, të cilët, sipas tyre, nuk e kanë sfiduar Rusinë për ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA dhe për veprimet e saj në Ukrainë, Siri dhe gjetkë.

Senatori Richard Shelby, i cili e udhëhoqi delegacionin amerikan, tha se i ka thënë kryetarit të Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, se duhet të përpiqen për një marrëdhënie më të mirë midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Unë nuk jam këtu sot për të akuzuar Rusinë për këtë apo atë”, ka thënë Shelby.

“Ne kemi një marrëdhënie të tensionuar, por mund të kemi një marrëdhënie më të mirë mes SHBA-së dhe Rusisë, sepse ekzistojnë disa interesa të përbashkët në gjithë botën”, i ka thënë Shelby ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Megjithatë, Kennedy e përshkroi Lavrovin si “dhunues”.

John Kennedy
John Kennedy

“Nuk ekziston filozofia politike në Rusi. Është sikur të thuash filozofia politike e mafias”, tha Kennedy.

“Filozofia e tyre është paraja dhe pushteti. Kjo është filozofia e Putinit. Ai sundon me dorë të hekurt, ai është diktator”, tha Kennedy.

Ai shtoi se në Rusi nuk ka shtyp të lirë dhe se ekziston një ndarje e madhe midis qytetarëve të pasur dhe atyre të rëndomtë. “Populli rus meriton më mirë”, tha Kennedy.

Ai tha se nuk ka ndonjë problem me takimin e ardhshëm Trump-Putin, porse nuk mund të presë ndonjë përparim të madh nga ai.

“Nuk mund t’i besoni Putinit. Më e mira që mund të bëjmë është të përpiqemi ta frenojmë atë”, tha Kennedy.

Përgatiti: Valona Tela

Starbucks ndalon përdorimin e pipave plastike

NEW YORK – Zinxhiri amerikan i kafeneve Starbucks deri në vitin 2020 do t’i japë fund përdorimit të pipave plastike për pije në degët e saj, me qëllim të parandalimit të dëmeve të shkaktuara nga plastikat në mjedis.

Në një deklaratë nga kompania thuhet se në më shumë se 28 mijë degë të kompanisë në gjithë shtetin, deri në vitin 2020 do të ndalohet përdorimi i pipave plastike.

Pompeo: sanksionet ndaj Phenianit do të vazhdojnë

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo thotë se sanksionet ndaj Koresë së Veriut do të vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi, deri në përfundimin e çarmatimit bërthamor, plotësisht të verifikueshëm, siç është rënë dakord me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un.

Zoti Pompeo foli sot (të dielën) në një konferencë shtypi në Tokjo me homologët nga Koreja e Jugut dhe Japonia.

“Çarmatimi bërthamor është një përkufizim i gjërë dhe koreano-veriorët e kuptojnë dhe nuk e kanë kundërshtuar. Së dyti, ata e kuptojnë se çarmatimi bërthamor nuk ka kuptim pa verifikim, edhe kjo pranohet. Do të ketë një verifikim që lidhet me çarmatimin e plotë bërthamor. Për këtë kanë rënë dakord Presidenti Trump dhe kryetari Kim.”

Shefi i diplomacisë amerikane i cilësoi si produktive bisedimet me zyrtarët e lartë të Koresë së Veriut.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut, KCNA, i përshkroi bisedimet si “jashtëzakonisht shqetësuese”, ndërsa citoi një zyrtar të ministrisë së jashtme, të paidentifikuar, të ketë thënë se “mënyra më e shpejtë” për të patur një Gadishull Korean pa armë bërthamore do të ishte përmes një qasjeje me faza, nga të dyja palët.

Zoti Pompeo tha se diplomatët koreano-veriorë nuk patën kundërshtime në diskutimet që ai zhvilloi me ta në Phenian. Ai tha se shpreson që do të ecet përpara në negociatat me Korenë e Veriut.

Kryediplomati amerikan tha se një pjesë e madhe e diskutimeve ishte rreth afatit kohor për çarmatimin e Koresë së Veriut dhe fillimi i deklarimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Zoti Pompeo nuk dha detaje, por tha se kishin shpenzuar një kohë të mirë për trajtimin e këtyre dy çështjeve dhe se besonte që ishin bërë përparime në çdo elemtent të diskutimeve.

Presidenti Trump e ka ngarkuar zotin Pompeo që të mbikëqyrë realizimin e premtimeve që kryetari Kim bëri në takimin e Singaporit për çarmatimin bërthamor të gadishullit Korean.

(Video) Donald Lu: Kokat e krimit duhet të kenë frikë ! Drejtësia për ta po vjen ! Dështuan Prokuroria, Policia dhe Qeveria, s’kanë vullnet për ta arrestuar

Duke mos e gjetur të zbardhur fjalën e Ambasadorit Lu, sepse shtypi i Tiranës përzgjedh sipas interesit, ne po sjellim të plotë fjalën e tij.

Falenderojmë respektin e Ambasadorit Lu për shqiptarët. Ai flet dhe komunikon në gjuhën shqip:

Ish-ambasadori i Shteteve të Donald Lu, në prag të largimit nga Shqipëria ka përcjellë sërish mesazhe të forta sa i përket luftës kundër krimit, “peshqve të mëdhenj” dhe sfidat që janë përpara.

Në aktivitetin e organizuar sot nga Ministria e Brendshme, Lu tha se është bërë shumë në këto 8 muaj kundër krimit por nevojitet ende shumë punë.

“Shumë ka ndodhur në 8 muaj, e shumë ka mbetur për tu’ bërë.

Shqipëria mbështeti arrestimin e trafikantit të madh Met Kanani në Turqi, më pas banda e tij u arrestua në Shqipëri.

Policia mbështeti sekuestrimin e 613 kg kokainë dhe arrestimin e Arbër Çekaj në Gjermani.

Disa anëtarë të bandës së tij janë arrestuar dhe do arrestohen të tjerë. Hetimi penal kundër ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla vazhdon.

Shumë aktivitet për një periudhë të shkurtër kohe por duam rezultate konkrete.

Duam që peshqit e mëdhenj të ndiqen penalisht, të dënohen dhe futen në burg.

Ky do ishte sukses. Dua të theksoj një dështim të qeverisë dhe policisë, arrestimin e Klement Balilit.

I bëjmë thirrje që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë.

Kjo do të sjellë krijimin e shpejt të KLP, SPK-ut dhe BKH.

Ne kemi konfirmuar burimet. Kokat e krimit duhet të kenë frikë dhe drejtësia për ta po vjen”, u shpreh Donald Lu.

“Qeveria ka pranuar sfidën serioze që ka Shqipëria për luftimin e krimit të organizuar. Duam rezultate konkrete, duhet të ndiqen penalisht dhe të dënohen kriminelët.

Dua të theksoj një dështim të policisë dhe prokurorisë: dy vite më parë u punua për arrestimin e disa anëtarëve të bandës së Balilit. Ai është bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. Por nuk ka pasur aftësi apo vullnet për ta arrestuar vetë Balilin”, deklaroi Lu gjatë aktivitetit “Forca e ligjit në veprim: arritje dhe sfida”.

“Askush nuk është mbi ligjin. I bëj thirrje Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe policisë për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë”, shtoi Lu.

Gruaja që protestoi në Statujën e Lirisë, u dërgua në paraburgim

Një grua që u ngjit në Statujën e Lirisë në Nju Jork dhe u ul në bazën e monumentit, u dërgua në paraburgim, tha policia.

Policia i evakuoi turistët për tri orë, sa edhe zgjati mosbindja e saj përballë autoriteteve lokale dhe federale.

Gruaja u identifikua si Therese Okoumou, 44 vjeçe, emigrante nga Kongo.

Raportohet se ajo protestoi kundër politikës së presidentit amerikan, Donald Trump, për “zero-tolerancë” ndaj emigracionit.

Me këtë politikë, mijëra familje janë ndarë nga autoritetet amerikane pasi kanë kaluar kufirin e SHBA-së nga Meksika. rel

Amerika feston 242 vjetorin e pavarësisë

Shtetet e Bashkuara po festojnë të mërkurën Ditën e Pavarësisë. Këtë vit, amerikanët shënojnë 242 vjetorin e shkëputjes nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre në gjithë vendin.

Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, do të mbajnë një piknik për familjet e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë.

Festa e 4 korrikurt përfshin traditën e leximit të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e Arkivave Kombëtare në Uashington. Brenda godinës, dokumenti origjinal është i ekspozuar së bashku me Kushtetutën dhe Karta e të Drejtave.

Pas leximit, fillon një paradë para ndërtesës së Arkivave në shëtitoren e quajtur Constitution (Kushtetuta) dhe vazhdon deri në zonën mes Shtpisë së Bardhë dhe monumentit për nder të Presidentit të parë amerikan, George Washington. Mijëra vetë dalin nëpër rrugë për të ndjekur paradën.

Në Uashington mbahet gjithashtu një concert para selisë së Kongresit, Kapitolit, ku interpretojnë grupe dhe këngëtarë të njohur dhe Orkestra Simfonike Uashingtonit.

Festimet mbyllen me një shfaqje madhështore fishekzjarresh, pas perëndimit.

Administrata Trump do të heqë udhëzimet në favor të minoriteteve në universitete

Presidenti Donald Trump gjatë një takimi me mësues dhe nxënës në Shtëpinë e Bardhë

Sipas zyrtarëve, administrata Trump po përgatitet të heqë udhëzimet për kolegjet dhe universitetet për rritje të diversitetit racor gjatë procesit të pranimit në shkolla.

Mediat njoftuan se zyrtarët e administratës Trump po përgatiten të kundërshtojnë udhëzimet e dhëna nga administrata e Presidentit Barack Obama, e cila pati paraqitur rekomandime ligjore për shkollat që të kenë në konsideratë kriterin e racës gjatë procesit të pranimit të studentëve të rinj. Ky zhvillim u njoftua fillimisht nga gazeta “The Wall Street Journal”.

Zyrtarët e administratës Trump do të argumentojnë se udhëzimet e mëparshme janë në shkelje të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe se i kanë shtyrë shkollat të veprojnë më shumë se sa i autorizon legjislacioni amerikan.

Anurima Bargava, e cila udhëhoqi projektin për zbatimin e të drejtave civile në shkolla gjatë administratës Obama, i kundërshton këto argumenta, duke saktësuar se udhëzimet u ishin dërguar vetëm shkollave që patën filluar shqyrtimin e zbatimit ligjor të barazisë raciale.

Zonja Bargava i tha gazetës “The Wall Street Journal” se “ky është një sulm i mirëfilltë politik që nuk sjell asnjë përfitim”.

Administrata Trump nuk iu përgjigj kërkesave të gazetës për komente.

Kjo lëvizje e administratës Trump vjen në periudhën ndërsa Departamenti i Drejtësisë po heton nëse Universiteti i Harvardit ka shkelur ligjin duke diskriminuar studentët aziatiko-amerikanë, duke u kërkuar atyre kritere më të forta për t’u pranuar në këtë universitet. Zyrtarët e administratës Obama kishin refuzuar një kërkesë të ngjashme për hetime një vit më parë.

Një tjetër padi gjyqësore e vitit 2014 pritet të shqyrtohet në muajin tetor. Në këtë padi pretendohet se Universiteti i Harvardit diskriminon aziatiko-amerikanët duke kufizuar numrin e studentëve aziatikë që pranohen çdo vit.

Një padi tjetër e tillë e paraqitur në vitin 2013 nga Edward Blum, një jurist aktivist kundër kritereve etnike dhe raciale të pranimit në shkolla, kundër Universitetit të Teksasit në Austin, nuk arriti të provojë se universiteti favorizonte studentët minoritarë.

Kathleen Ann Kavalec do të jetë ambasadorja e SHBA në Shqipëri

Kathleen Ann Kavalec do të jetë ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, e emëruar nga Donald Trump.

Presidenti Donald Trump njoftoi sot se Kathleen Ann Kavalec është emri që propozohet për Ambasadore e SHBA në Shqipëri.

Kavalec do të zëvendësojë Donald Lu i cili pritet të largohet këtë muaj nga Shqipëria.

Zonja Kavalec aktualisht shërben si Zëvendës Ndihmës Sekretare në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, ndërsa mësohet se ka më shumë se tre dekada përvojë si diplomate.

Më herët, ajo ka shërbyer si Drejtoreshë e Zyrës së Çështjeve të Rusisë, Zëvendës Shefe e Misionit të SHBA në UNESCO në Paris, Zëvendës Koordinatore e Ndihmës në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Drejtore për Parandalimin e Konflikteve në Zyrën e Koordinatorit për Rindërtimin dhe Stabilizimin.

Kavalec ka mbaruar Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka një master nga Universiteti Georgetown dhe flet rrjedhshëm gjuhët: frënge, rumune, ukrainase, ruse, spanjolle dhe portugeze.

CV e Kathleen Kavalec e publikuar nga DASH:

Kathleen A. Kavalec
Zëvendës ndihmës sekretare
Zyra e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike
Periudha në detyrë: Nga gusht 2015
Zëvendës ndihmës-sekretarja për Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Kathleen Kavalec e ka marrë detyrën si zëvendësndihmës-sekretare në gusht 2015. Në këtë cilësi, ajo është përgjegjëse për Rusinë dhe për Zyrën e Çështjeve Rajonale. Më parë ajo ka shërbyer si Drejtore për Çështjet Ruse në të njëjtën Zyrë.
Para kësaj, ka qenë Zëvendës Shefe e Misionit dhe Zëvendës Delegate e Përhershme në Misionin e SHBA në UNESCO, në Paris (2010-2013). Në periudhën 2009-2010, zonja Kavalec ishte Zëvendës Koordinatore për Asistencën e SHBA për Evropën, Eurazinë dhe Azinë Qendrore.
Ajo ka shërbyer më 2008-2009 edhe si Drejtore e Parandalimit të Konflikteve në Zyrën e Koordinimit për Rindërtim e Stabilizim. Detyrat jashtë vendit kanë përfshirë edhe ture në Ukrainë, Rusi, Rumani e Brazil.
Znj. Kavalec mban një “A.B” në Shkencat Politike nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley dhe një “M.S.F.S” në Shërbimin e Jashtëm nga Universiteti Georgetown. Gjuhët e huaja që flet janë rusishtja, frëngjishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumunishtja dhe gjuha ukrainase.

Flamujt amerikanë ulen në gjysmë-shtizë

Disa ushtarë amerikanë duke ulur flamurin e SHBA-s n gjysmë-shtizë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar uljen e flamujve të Shteteve të Bashkuara në gjysmë-shtizë, në shenjë nderimi për pesë gazetarët e vrarë javën e kaluar në një gazetë në Merilland.

Ai ka bërë këtë njoftim ditën e martë, një ditë pasi majori i Anapolisit, Gavin Buckley, ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar kërkesën e tij për uljen e flamujve.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti ka vepruar në momentin që ka pranuar kërkesën e majorit Buckley.

Pesë punëtorë të gazetës Capital kanë vdekur të enjten e kaluar, si pasojë e të shtënave në Anapolis.

Në njoftimin e tij, Trump ka urdhëruar uljen e flamujeve në të gjitha ndërtesat, bazat ushtarake, anijet detare dhe ambasadat deri në fund të ditës së martë.

“Amerikanët në gjithë shtetin janë bashkuar për t’i bërë thirje Zotit që të jetë me viktimat dhe t’iu ndihmojë familjarëve dhe shokëve”.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti nuk ka qenë më parë i njoftuar për kërkesën e majorit.

Një zëdhënëse e Anapolisit ka thënë më herët se majori ka qenë “jashtëzakonisht i dëshpëruar” që nuk është mirauar propozimi i tij.

Trumpi i “qorton” aleatët e NATO-s

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u dërgoi një letër udhëheqësve të disa aleatëve të NATO-s, përfshirë Belgjikën, Kanadanë, Gjermaninë dhe Norvegjinë, duke i paralajmëruar se ato po shpenzojnë shumë pak në mbrojtje, raporton gazeta New York Times.

Sipas saj, Trump po ashtu tërheq vërejtjen se SHBA është gjithnjë e më e zhgënjyer me dështimin e tyre, për të përmbushur detyrimet e sigurisë, të ndara nga aleanca ushtarake.

Trump vazhdimisht i ka kritikuar anëtarët e NATO-s që shpenzojnë më pak se 2% të bruto prodhimit të tyre të brendshëm në mbrojtje.

Tensionet midis SHBA-së dhe disa aleatëve të NATO-s janë rritur në prag të një samiti të NATO-s që do të mbahet më 11 dhe 12 korrik në Bruksel.

Ky samit do të pasohet me një takim midis Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në Helsinki, më 16 korrik.

Shtëpia e Bardhë: Uashingtoni nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë theksoi sot se SHBA-ja nuk e njeh aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, vetëm pak ditë pas një deklarate të paqartë të Donald Trump mbi këtë temë.

“Ne nuk i njohim përpjekjet e Rusisë për të aneksuar Krimenë”, theksoi Sarah Sanders zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

“Sanksionet kundër Rusisë do të qëndrojnë në fuqi deri sa Rusia t’i kthejë gadishullin Ukrainës”, vazhdoi ajo.

I pyetur të premten mbi këtë çështje Trump ishte evaziv duke u mjaftuar të përgjigjet vetëm me një, “do të shohim”.

Ambasadori amerikan: As Beogradi dhe as Prishtina s’do marrin atë që dëshirojnë

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott ka deklaruar se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të hyj në fazë intensive, me shpresë se kompromisi do të arrihet “me gjasë gjatë këtij viti”.

Scott ka deklaruar për televizionin serb (RTS) se është e qartë se as Beogradi e as Prishtina nuk do ta marrin atë që e dëshirojnë, por, siç ka thënë ai, është me rëndësi që palët të arrijnë deri te kompromisi, transmeton “Zeri.info”.

“Për këtë është shumë i rëndësishëm ky dialog që udhëhiqet nga BE-ja. Mendoj se duhet të hyj në fazë intensive, shpresoj se do të arrihet kompromisi, ka mundësi që edhe gjatë këtij viti”, ka thënë mes tjerash Scott, duke shtuar se kompromisi nuk duhet kuptuar si një “fjalë e keqe”, por kompromiset janë shtylla të politikës ndërkombëtare.

Ish-avokati i Presidentit Trump: Përparësia ime, mbrojtja e familjes

Michael Cohen, i cili ndodhet nën hetime penale lidhur me rolin si avokat i Presidentit Donald Trump, tha sot se “përparësia kryesore” e tij është të mbrojë familjen dhe vendin dhe jo presidentin.

Zoti Cohen, avokat nga Nju Jorku, dikur e përshkruante veten si “njeriu që ishte gati ta mbronte me jetë” zotin Trump, manjatin e pasurive të patundshme të shdëruar në politikan. Por tani që Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, po heton rolin e zotit Cohen gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016 dhe prokurorët e Nju Jorkut po hetojnë marrëveshjet e biznesit të zotit Cohen, ai doli me një qëndrim ndryshe, gjatë një intervistë për rrjetin televiziv ABC News.

Avokati 51-vjeçar sinjalizoi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me prokurorët në dy hetimet, duke thënë se “së pari u qëndroj besnik gruas, vajzës dhe djalit tim dhe gjithnjë do ta bëj. Unë vendos familjen dhe vendin tim në radhë të parë”.

Deri kohët e fundit, zoti Cohen luajti rol kyç në përfaqësimin e zotit Trump, ndonëse nuk pati ndonjë pozicion zyrtar në Shtëpinë e Bardhë.

Më shumë se dy javë përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016 zoti Cohen i bëri një pagesë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels për të blerë heshtjen e saj në atë kohë, lidhur me një çështje të dyshuar, për një natë që ajo pretendon të ketë kaluar me zotin Trump në vitin 2006, kjo pak pasi gruaja e tij Melania, lindi djalin e tyre Barron. Sipas disa analistëve ligjorë amerikanë pagesa mund të interpretohet si një shkelje e ligjit për financimin e fushatës nga ana e zotit Cohen.

Nëna pa dokumente kërkon të bashkohet me fëmijët e saj

Yeni Gonzalez, nga Guatemala, kaloi ilegalisht kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe u veçua nga fëmijët e saj. Zëri i Amerikës po ndjek përpjekjet që ajo po bën për të marrë fëmijët nga qendrat e largëta ku ata po mbahen. Siç njofton nga Arizona korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, ky është vetëm një ndër rastet e 2 mijë fëmijëve të veçuar nga familjet e tyre.

Pasi u mbajt për 43 ditë nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe pasi e ndanë nga tre fëmijët e saj në kufirin jugor ndërsa po përpiqej të kalonte ilegalisht, Yeni Gonzalez u lirua me kusht.

Ajo foli me Zërin e Amerikës pasi doli nga qendra e mbajtjes së emigrantëve në Eloy, të shtetit Arizona.

“Do të filloj të kërkoj fëmijët e mi… Ka qenë shumë e vështirë për mua. Mu thye zemra në njëmijë copa kur më morën fëmijët nga krahët”, thotë zonja Gonzalez.

Ajo u mbajt për 5 javë në këtë qendër të emigracionit në Eloy të Arizonës, 3800 kilometra nga Nju Jorku, ku janë dërguar fëmijët e saj, pasi u veçuan kur po kalonin kufirin ilegalisht.

Yeni u merakos.

“U luta që të më kontaktojnë me telefon dhe më thanë ‘jo, nuk ka telefonata’. Iu luta që të mësoja diçka për fëmijët e mi, prej të cilëve nuk kam dëgjuar prej ditësh dhe më thanë ‘e di çfarë? Ti do të deportohesh në Guatemala dhe fëmijët e tu do të mbeten në duart e kësaj qeverie”, rrëfen zonja Gonzalez.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, Yeni tha se nuk ishte në dijeni të politikës për “Tolerancë Zero” që e ndau nga fëmijët e saj. Ajo tha se po ta kishte ditur, nuk do t’i sjellë fëmijët.

Tashmë ata ndodhen në Nju Jork, në qendrën Cayuga. Lirimi i Yenit me kusht u mundësua nga donacionet.

“Garancia u pagua nga disa familje, nëna të qytetit të Nju Jorkut. Falë Zotit më dërguan konfirmim me mesazh se kishin paguar garancinë prej 7500 dollarësh”, thotë Jose Orechena, avokati i Yenit.

Lirimi i saj koinçidoi me vizitën në qendrën e emigracionit në Tucson të Arizonës, nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila po e ndjek nga afër situatën e familjeve pa dokumenta dhe punën që po bëjnë autoritetet.

“Jam këtu për t’ju mbështetur dhe për t’ju dhënë ndihmën time për çfarë nevojitet për fëmijët dhe familjet”, tha zonja Trump.

Administrata Trump thotë se do të ribashkojë familjet.

“Ata bashkohen rrjedhimisht me familjarët, por sipas legjislacionit tonë për sa kohë që prindi mbahet në paraburgim, fatkeqësisht ata nuk mund të bashkohen dhe do të vazhdojnë të mbahen”, tha Alex Azar, Sekretar i Shëndetësisë dhe i Shërbimeve Njerëzore.

Yeni Gonzalez mezi pret të përqafojë sa më parë fëmijët e saj.

Çështja e emigracionit, Trumpi në mbrojtje të Agjencisë së Emigracionit

Presidenti Trump i doli të dielën në mbrojtje Agjencisë amerikane të Zbatimit të Ligjeve të Emigracionit, që kohët e fundit është përballur me kritika të ligjvënësve demokratë.

“E majta liberale, e njohur si demokratët, kërkon të heqim dorë nga agjencia që është duke bërë një punë fantastike. Ata kërkojnë t’i kemi të hapura kufijtë. Por kjo do të sillte krime të pakontrollueshme!“, – shkruante në Twitter Presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1013394559429169152

Në një intervistë që dha për televizionin “Fox News”, Trump tha se nga pikëpamja politike, “Mua më pëlqen shumë kjo çështje”. Ai tha se në se demokratët vazhdojnë të kërkojnë mbylljen e Agjencisë së Emigracionit, “Ata sipas mendimit tim nuk kanë për t’i fituar kurrë zgjedhjet.”

Dhjetra mijëra vetë protestuan të shtunën në shtete të ndryshme amerikane, për të kundërshtuar të ashtuquajturën “telerancë zero”, një politikë e administratës aktuale, që kërkon kapjen e çdo personi që kalon në mënyrë të paligjshme kufirin me Meksikën.

Protestuesit gjithashtu kërkojnë bashkimin e menjëhershëm të më tepër se 2 mijë fëmijëve të ndarë nga prindërit emigrantë, menjëherë pas hyrjes në kufirin amerikan. Prindërit mbahen nëpër qendra, në pritje të proceseve gjyqësore ndaj tyre për shkelje të ligjit amerikan.

Më 20 qershor Presidenti Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv dhe premtoi se do t’i jepet fund ndarjes së familjeve, kur të jetë e mundshme.

Ai nuk komentoi në Twitter në mënyrë të drejtpërdrejtë për protestat që u zhvilluan në disa qytetet amerikane, por shkroi: “Kur njerëzit hyjnë në vend ilegalisht, ne duhet t’i kthejmë ata mbrapsht menjëherë, pa pritur t’u nënshtrohen procedurave të gjata ligjore. Ligjet tona të imigracionit janë më të pakuptimtat në botë.”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1013146187510243328

Disa ligjvënës demokratë kanë bërë thirrje për mbylljen e Agjencisë amerikane të Zbatimit të Ligjeve të Imigracionit dhe Doganeve, e cila është pjesë e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.

Senatorja e Nju Jorkut Kirsten Gillibrand i tha javën e kaluar CNN-it se Agjencia e Emigracionit “është shndërruar në një forcë deportuese” dhe se “duhet hequr dorë prej saj, duke e rikrijuar si një agjenci qeveritare që funsionon”.

Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris i tha disa mediave se “ndoshta” dhe “mundet”, që qeveria duhet “të rifillojë nga e para” për krijimin e një agjencie të re për zbatimin e ligjeve të imigracionit.

Zgjedhjet e mesit të mandatit dhe politikat e Donald Trumpit

Ndërsa zhvillon fushatë për kandidatët e partisë së tij, republikane, Presidenti Donald Trump duket qartë se synon ta bëjë emigracionin çështje madhore në zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres. Por kjo strategji përfshin një farë rreziku politik, pas kritikave të ashpra që iu bënë administratës lidhur me ndarjen e fëmijëve nga prindërit që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Javën e kaluar Presidenti u tërhoq vetë nga kjo politikë.

Gjatë një mitingu në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump i paralajmëroi demokratët e opozitës për çështjen e emigracionit:

“Demokratët kërkojnë hapjen e kufijve dhe nuk duan t’ja dinë për krimet. Ne duam të kemi kufij të sigurtë. Këtë vit patëm numrin më të ulët në 70 vjet të imigrantëve të paligjshëm që hyjnë në vend. Me gjithë ankesat, jemi duke bërë punë shumë të mirë.”

Javën e kaluar, zoti Trump u tërhoq nga politika e ndarjes së fëmijëve të imigrantëve nga prindërit e tyre, pas protestave që morën më pas ngjyra partiake.

Por synimi i administratës është të ketë siguri në kufi, thotë Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions:

“Ne vazhdojmë t’i ndjekim ligjërisht të rriturit që hyjnë ilegalisht në vend. Do të bëjmë gjithçka për të shmangur ndarjen e familjeve.”

Qëndrimi i zotit Trump vazhdon të shoqërohet me protesta, si njëra, gjatë së cilës demonstruesit u përpoqën të bllokojnë një autobus plot me imigrantë në një qendër në Teksas.

“Njerëzit duhet të bëjnë rezistencë ndaj kësaj sjelljeje. Nuk mund ta pranojmë këtë lloj racizmi si diçka normale. Kjo nuk është normale sot në Amerikë.”- thotë Gabriel Rosales, i Ligës së Qytetarëve latino-amerikanë.

Disa shtete kanë hapur procese gjyqësore për ta detyruar administratën Trump të ribashkojë familjet e imigrantëve, si për shembull Nju Yorku, nën drejtimin e guverntorit Andrew Cuomo.

“Kjo çështje nuk ka të bëjë me Demokratët dhe Republikanët. As me liberalët dhe konservatorët. Kjo është çështje bazë, që lidhet me mënyrën se si i trajtojmë fëmijët. Është çështje humanitare, çështje vlerash njerëzore.”- tha zoti Cuomo.

Fokusi i zotit Trump tek imigracioni dhe siguria kufitare synon kryesisht të forcojë mbështetjen e përkrahësve të tij në zgjedhjet e mesit të mandatit, thotë analisti Larry Sabato:

“Ata nuk janë aspak të interesuar tek pikëpamjet e demokratëve, apo të të pavarurve, apo prirjeve të tjera të elektoratit amerikan. Ata shqetësohen vetëm për bazën e tyre, që është shumë kundër imigracionit.”

Anketat e kohëve të fundit tregojnë se Trump vazhdon të ketë popullaritet mes votuesve republikanë. Por fokusi i tij i tepërt tek baza e partisë, po kufizon aftësinë e tij për ta zgjeruar mbështetjen, thotë Frank Newport, i firmës anketuese Gallup.

“Demokratët janë të vendosur për të mos e mbështetur zotin Trump. E kundërta ndodh me republikanët, ata e mbështesin. Pra, nëse këto dy grupe janë të vendosura në qëndrimet e tyre, është e vështirë që mbështetja për një president si Trumpi të shtohet shumë.”

Zoti Trump u ka bërë thirrje përkrahësve të tij ta sfidojnë historinë, duke e ditur fare mirë, se presidentët e mëparshëm zakonisht, gjatë mandatit të tyre të parë, kanë pësuar humbje në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Aleatët e Trumpit thonë se “fundi i regjimit në Iran” është afër

Aleatë të ngushtë të presidentit amerikan, Donald Trump, gjatë një proteste në Paris, të titulluar “Irani i Lirë”, u kanë thënë protestuesve se fundi i regjimit iranian është afër dhe se sanksionet kundër shtetit do të jenë “më të mëdha”.

“Ne tani realisht jemi në gjendje të shohim fundin e regjimit në Iran”, tha këshilltari ligjor i Trumpit, Rudy Giuliani gjatë protestës e cila është organizuar nga kundërshtarët e Qeverisë në Teheran, që gjenden në ekzil.

Giuliani vuri në dukje protestat e organizuara kohëve të fundit në Iran, për shkak të vështirësive të vazhdueshme me të cilat po përballet Teherani zyrtar, pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosjes së sanksioneve mbi Republikën Islamike.

“Kur fuqia më e madhe ekonomike ndalon së bëri bizsnes me ju, atëherë ju kolapsoni… dhe sanksionet do të bëhen më të mëdha, më të mëdha, më të mëdha”, u shpreh Giuliani.

Giuliani tha se ai nuk mbështetë armatosjen e opozitës iraniane, duke shtuar se presidenti Trump do të vendosë më shumë sanksione mbi Teheranin për të ngufatur “ajatollahët diktatorialë” të Iranit.

“Kushdo që mendon se ajatollahët janë njerëz të ndershëm, është budalla. Ata janë mashtrues..”, tha ai, duke thënë se aleatët e SHBA-së që po vazhdojnë bashkëpunimin me Iranin, do të “turpërohen”.

Mbështetësi i fuqishëm i Trumpit në po të njëjtin tubim tha se “mënyra e vetme për siguri në rajon është zëvendësimi i diktaturës me demokraci dhe ky ka qenë qëllimi ynë”.

Giuliani dhe politikanë të tjerë të linjës së ashpër, në vitet e fundit, janë paguar që të flasin nëpër tubime, që zyrtarisht sposorizohen nga Këshilli Nacional për Rezistencë i Iranit (NCRI), organizatë me bazë në Paris, që shërben si ombrellë për kundërshtarët në ekzil të Qeverisë në Teheran.

Maryam Rajavi, lider i Organizatës së Njerëzve Mujahid të Iranit, u tha gazetarëve se “ndryshimi i regjimit në Iran është më afër se kurrë më parë. Një e ardhme e ndritur pa ekzekutime, torturë, diskriminim dhe shtypje”.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka lëshuar një deklaratë ku tha se Trump do të dështojë që të kthejë kundër Qeverisë iranianët.

“Ata sjellin presion ekonomik për të ndarë kombin nga sistemi… por, gjashtë presidentë para tij, kanë tentuar dhe kanë hequr dorë”, tha Khamenei.

Në Iran janë mbajtur protesta pas vështirësive ekonomike, pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore dhe tërhoqi dhe detyrojë kompanitë që operojnë në Iran të tërhiqen, pas kërcënimit nga sanksionet amerikane.

Marrëveshja bërthamore e arritur më 2015 i mundëson Teheranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Kandidatët myslimanë në proceset zgjedhore amerikane

Rreth 100 myslimanë amerikanë po kandidojnë për poste publike këtë vit, shumë prej tyre demokratë që shpresojnë të bëhen pjesë e “valës blu” gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në muajin nëntor. Gazetari i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ka shoqëruar një ish-ligjvënëse të shtetit Miçigan, e cila e dëshiron aq shumë zgjedhjen në Kongres, saqë bëri fushatë elektorale gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Ajo fokusohet më pak tek gjinia e saj dhe besimi i saj fetar, sesa tek trajtimi i nevojave të komunitetit që ajo synon të përfaqësojë.

Gjatë orëve më të ngrohta të ditës… Përgjatë trotuareve aq të nxehta sa mbi to mund të skuqësh vezë… Rashida Tlaib shkon derë më derë në këtë lagje të qytetit Detroit, në kërkim të votave.

Ajo po e bën gjithë këtë punë pa ngrënë ushqim dhe pa pirë ujë gjithë ditën.

Arsyeja është se zonja Tlaib është myslimane, çka do të thotë se ajo agjëron gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

“E di se në mediat sociale besimi im fetar përmended më shumë, por tek dyert e shtëpive nuk ma vënë në dukje”, thotë zonja Tlaib, e cila po kandidon për t’u zgjedhur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në zonën zgjedhore 13-të, në shtetin Miçigan.

Zonja Tlaib nuk është fillestare në politikë, pasi ajo ka shërbyer më parë në legjislaturën e shtetit të Miçiganit. Ajo është bijë emigrantësh palestinezë, por në këto rrugë të qytetit Detroit, në një lagje me shumicë afrikano-amerikane, ajo është vendase, ka lindur këtu, dhe ka ndjekur shkollat e zonës.

“Njerëzit më shumë i prek lidhja e drejtpërdrejtë me lagjen”, thotë zonja Tlaib.

Ajo pranon se pak nga njerëzit që ajo takon mund ta dinë se ajo është pranë shkrimit të historisë… sërish.

“U them se isha gruaja e parë myslimane që u zgjodha në legjislaturën e shtetit Miçigan, dhe se nëse zgjidhem në Kongresin amerikan, do të jem e para e tillë në historinë e tij”, thotë zonja Tlaib.

“A e ka të sigurtë fitoren? Jo. A ka ndonjë shans? Po. Ajo është një kandidate e jashtëzakonshme”, thotë Osama Siblani, botues i “Arab American News”.

Gazeta e përjavshme “Arab American News” ka kryesisht audiencë popullsinë e madhe arabo-amerikane të Miçiganit juglindor.

Zoti Siblani thotë se kandidatura e zonjës Tlaib dhe e dy kandidatëve të tjerë myslimano-amerikanë që po konkurrojnë në procese të tjera zgjedhore, dëshmon për një rizgjim të ri politik në komunitet.

“Dikur fshiheshim. Ndryshonim emrat tanë. Megjithë 11 shtatorin dhe epokën Trump, ne lëvizim përpara; kandidojmë në zgjedhje, fitojmë, dhe kemi ndikim domethënës tek shoqëria jonë”, thotë zoti Siblani.

“Në rrafshin kombëtar, kjo është një fushatë historike. Njerëzit që më mbështesin, si p.sh. një myslimane në Tampa që më tha ‘të lutem fito, pasi po fitove ti, ne atëherë do t’i përkasim këtij vendi’. I thashë se ne jemi që tani fitimtarë, pasi ky këtu është absolutisht vendi yt. Ka domethënie shumë më të madhe”, tregon zonja Tlaib.

Që të fitojë, asaj do t’i duhet mbështetje përtej komunitetit arabo-amerikan të Miçiganit… shumica e të cilëve nuk jetojnë në zonën elektorale që ajo kërkon të përfaqësojë dhe nuk votojnë dot për të.

Zonja Tlaib përballet me disa sfidantë që synojnë të zënë vendin e Ligjvënësit John Conyers Junior, i cili dha dorëheqjen në dhjetor pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale. Kandidati që do të përzgjidhet nga demokratët gjatë zgjedhjeve paraprake, ka shanse të mëdha drejt Kongresit amerikan, pasi për momentin nuk ka asnjë kandidat të shpallur nga republikanët.

Presidenti bie pre e rrengut të humoristit

Humoristi John Melendez

Një humorist amerikan ka marrë për shaka në telefon Shtëpinë e Bardhë dhe brenda dy orësh Presidenti Trump i ka kthyer telefonatën nga avioni presidencial.

Komediani John Melendez, iu prezantua punonjësve të Shtëpisë së Bardhë që kapën telefonin si Senatori Bob Menendez, një politikan demokrat nga Nju Xhërsi.

Melendez, i cili ka një podcast me transmetime, tha se kishte folur rreth tre minuta me presidentin, pa i treguar atij identitetin e vërtetë.

Humoristi tha se ka biseduar rreth 20 herë të tjera me presidentin dhe çuditet që presidenti nuk e kuptoi kush ishte nga zëri dhe dialekti njujorkez.

Ai e kishte regjistruar bisedën e fundit. Në regjistrim presidenti, i cili mendon se po bisedon me Senatorin Menendez, e uron senatorin që u shpall i pafajshëm në një proces gjyqësor nën dyshimet për mitmarrje.

Po ashtu presidenti flet për bashkëpunim për ligje mbi emigracionin. Humoristi i përgjigjet “Unë jam hispanik”.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë reagoi duke u shprehur se “presidenti do të mbajë linja të hapura” me anëtarët e Kongresit dhe nganjëherë ndodhin ngatërresa të tilla.

SHBA: Mijëra vetë protestuan në mbështetje të emigrantëve

Protesta në SHBA. 30 qershor, 2018.

Mijëra persona kanë protestuar në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe në qytete të tjera, kundër politikave të emigrimit të presidentit, Donald Trump, përfshirë edhe politikën për ndarjen e familjeve.

Në sheshin që gjendet përball Shtëpisë së Bardhë, protestuesit brohoritën “Turp, Turp”. Disa mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Ku janë fëmijët” dhe “Ne jemi Amerika”.

Administrata Trump ka zbatuar politikën “zero tolerancë”, që bën thirrje për ndalimin e emigrantëve të cilët hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Por kjo politikë ka rezultuar në ndarjen e prindërve nga fëmijët e tyre. Trump më vonë ka tërhequr politikën e ndarjes, teksa Kongresi po tenton që të kalojë reformën për emigrantët.

Ndalimi i hyrjeve ilegale në SHBA ishte temë qendrore e fushatës presidenciale të Trumpit.

Presidenti Trump ka mbrojtur politikat e tij, duke thënë se ai po tenton që të zbatojë ligjet amerikane, duke tërhequr paralele mes krimeve të dhunshme dhe emigrimit.

SHBA, Protesta në të gjithë vendin në mbështetje të emigrantëve

Grupe që mbështesin emigrantët kanë njoftuar qindra marshime proteste sot në Shtetet e Bashkuara, kundër politikës “zero tolerancë” të administratës Trump ndaj imigracionit të paligjshëm.

Një koalicion organizatash me kahje të majtë, përfshirë grupime që organizuan marshimet për të drejtat e grave gjatë dy viteve të fundit, po koordinojnë mbi 600 demonstrata në të gjithë vendin dhe parashikojnë pjesëmarrje prej qindra mijëra vetësh.

Organizatorët thonë se kanë gjetur mbështetje të fortë në radhët e nënave që kanë kundërshtuar praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufirin me Meksikën.

Protesters fill the atrium of the Hart Senate Office Building protesting the separation of immigrant families, Thursday, June 28, 2018, on Capitol Hill in Washington.
Protesters fill the atrium of the Hart Senate Office Building protesting the separation of immigrant families, Thursday, June 28, 2018, on Capitol Hill in Washington.

Protesta janë planifikuar në Uashington, Los Anxhelos dhe Nju Jork si dhe në komunitete më të vogla. ​Marshimet e sotme që janë pagëzuar me titullin “Familjet duhet të jenë të bashkuara” kanë marrë fonde nga një numër organizatash si Bashkimi Amerikan për të Drejta Civile dhe lëvizja MoveOn.org.

Po sot, disa aktorë të skenës po marrin pjesë në një koncert bamirësie për të mbledhur fonde për familjet që janë ndarë në kufi.

FILE - Immigrant children, many of whom have been separated from their parents under a new "zero tolerance" policy by the Trump administration, are shown walking in single file between tents in their compound next to the Mexican border in Tornillo, Texas, U.S.,
FILE – Immigrant children, many of whom have been separated from their parents under a new “zero tolerance” policy by the Trump administration, are shown walking in single file between tents in their compound next to the Mexican border in Tornillo, Texas, U.S.,

Administrata Trump ka pezulluar praktikën e ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufi, por rreth 2000 fëmijë mbeten në qendra strehimi, pasi janë veçuar dhe ende nuk janë bashkuar me familjet e tyre.

Presidenti Trump postoi sot në Twitter komente ku thotë se demokratët duan të mbyllin agjencinë e imigracionit, të cilën ai e lavdëron si faktor në pastrimin e komuniteteve nga elementë kriminalë në radhët e imigrantëve të paligjshëm.

The Democrats are making a strong push to abolish ICE, one of the smartest, toughest and most spirited law enforcement groups of men and women that I have ever seen. I have watched ICE liberate towns from the grasp of MS-13 & clean out the toughest of situations. They are great!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) June 30, 2018

To the great and brave men and women of ICE, do not worry or lose your spirit. You are doing a fantastic job of keeping us safe by eradicating the worst criminal elements. So brave! The radical left Dems want you out. Next it will be all police. Zero chance, It will never happen!

— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) June 30, 2018

Pretendohet se Trump dëshiron që SHBA të tërhiqet nga OBT

NEW YORK – Presidenti amerikan, Donald Trump, pretendohet se dëshiron që të tërheq Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Organizata Botërore e Tregtisë (OBT).

Një zyrtar i paemërtuar amerikan për portalin e njohur amerikan “Axios” tha se Trump ka në plan që SHBA-të së shpejti të braktisin këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Trumpi nuk përjashton njohjen e aneksimit të Krimesë nga Rusia

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump nuk ka pranuar që ta përjashtojë mundësinë që ta njohë aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Kjo lëvizje vjen vetëm pak ditë para samitit të planifikuar të Trumpit, me presidentin rus, Vladimir Putin.

I pyetur nga gazetarët më 29 qershor se nëse janë të vërteta raportimet se Uashingtoni mund të heqë dorë nga kundërshtimi i aneksimit të Krimesë nga Rusia, Trump tha se “ne duhet ta shikojmë” këtë çështje.

Trump ka dhënë përgjigje të ngjajshme edhe kur është pyetur nëse do ta konsiderojë mundësinë që të heqë sanksionet amerikane ndaj Rusisë, që janë vendosur pas aneksimit të Krimesë. Ai ka thënë se qëllimi i samitit me Putinin është përmirësimi i marrëdhënieve Uashington-Moskë.

“Do të shohim se çfarë do të bëjë Rusia”, është shprehur Trump.

Komentet e Trumpit për shqyrtimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që ishin vendosur pas aneksimit të Krimesë më 2014 vijnë pas raportimeve në media, ku citoheshin liderët evropianë, të cilët kanë thënë se Trump gjatë takimit të G7-s ka diskutuar privatisht se Krimea duhet të jetë pjesë e Rusisë, sepse shumica e popullsisë është rusishtfolëse.

Trump, gjatë fushatës presidenciale më 2016, gjithashtu kishte refuzuar që të përjashtonte mundësinë e njohjes së territorit në Ukrainë të aneksuar nga Rusia dhe vazhdimisht është zotuar se do të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën.

Por, që prej se është zgjedhur president, Trump ka ndjekur qëndrimin e SHBA-së të trashëguar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, i cili pati thënë se me aneksimin e Krimesë është shkelur e dretja ndërkombëtare dhe vendosi sanksione mbi Rusinë dhe të njëjtën gjë bëri edhe Bashkimi Evropian.

Refuzimi i Trumpit për të riafirmuar kundërshtimin e SHBA-së ndaj ndërhyrjes ruse në Ukrainë, mund të ngjallë frikë tek aleatët evropianë, përpara takimit të ardhshëm të NATO-s, që mbahet muajin e ardhshëm.

Pas takimit të NATO-s më 11 korrik, Trump do të udhëtojë për në Helsinki për të marrë pjesë në samitin e parë kokë më kokë me Putinin më 16 korrik.

Gjatë kësaj jave u njoftua për takimin Trump-Putin. Presidenti amerikan ka thënë se ky takim është një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet, pas një viti të tensionimit të tyre, për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj Sirisë, pas sulmeve të dyshuara me armë kimike dhe pas njoftimeve se Rusia qëndron prapa një sulmi me agjent nervor, ndaj një ish-spiuni rus në Angli.

Teksa ka folur me gazetarët më 29 qershor, Trump gjithashtu ka thënë se në takimin me Putinin do ta ngrisë edhe çështjen e ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amaerikane ml 2016.

“Do të flas me të për gjithçka”, ka thënë Trump.

“Ne do të flasim për Ukrainën, do të flasim për Sirinë. Ne do të flasim për zgjedhjet…Ne nuk duam që askush të ndërhyjë në zgjedhje”, ka thënë presidenti amerikan.

Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë më 29 qershor se Putini është i përgatitur që t’i tregojë Trumpit se Moska nuk ka tentuar që të ndikojë në zgjedhjet amerikane.

“Nëse çështja për ndërhyrjen në zgjedhje do të ngritet nga presidenti i SHBA-së, atëherë presidenti rus do të përsërisë qëndrimin se Rusia nuk ka mundur dhe nuk ka të bëjë asgjë me këtë situatë, ku insinuatat për këtë çështje janë hedhur poshtë”, është shprehur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Përderisa ndëryrja në zgjedhjet amerikane vazhdimisht është hedhur poshtë nga Putini dhe Trump, për këtë çështje janë kryer disa hetime në Kongres, që kanë dalë me përfundime të ndryshme. Për këtë çështje është emëruar edhe këshilltar i posaçëm.

Agjencitë e inteligjencës, këshilltari i posaçëm dhe komitete të ndryshme të inteligjencës kanë ardhur në përfundim se Rusia ka tentuar që të ndikojë në zgjedhjet e vitit 2016, përmes fushatave të ndryshme në mediat sociale dhe përmes formave të tjera.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

General Motors paralajmëron administratën Trump për taksën doganore

NEW YORK – Gjigandi amerikan i automobilave General Motors ka paralajmëruar se nëse presidenti amerikan, Donald Trump, sjell taksa doganore shtesë për makinat e importuara nga Evropa, kjo do të thotë më pak investime, humbje punësimi dhe ulje të pagave.

Në një letër nga General Motors për Departamentin e Tregtisë të SHBA-ve është diskutuar njoftimi i presidentit Trump javën e kaluar për të vendosur taksën shtesë doganore me 20 për qind mbi makinat e importuara nga Evropa.

Në letër, theksohet se rritja e kostove për shkak të taksës doganore do të reflektohet në çmimet e larta të automjeteve për konsumatorët dhe do të ulë kërkesën për automjete të reja.

Gjithashtu në letër paralajmërohet se nëse tatimi doganor i ngarkohet General Motors pa sjellë rritjen e çmimeve në automjete, kjo do të thotë për kompaninë, më pak investim, humbje punësimi dhe ulje të pagave.

Ndër të tjera në letër tërhiqet vëmendja se investimet më të pakta dhe një fuqi punëtore e zvogëluar, do të kërcënojnë lidershipin amerikan në teknologjinë e automobilave, dhe se taksat doganore do të reduktojnë praninë e General Motors në SHBA dhe jashtë saj.

Po ashtu theksohet se General Motors, që siguron një punësim për rreth 110,000 njerëz në SHBA, që nga viti 2009 e deri tani ka kryer një investim më shumë se 22 miliardë dollarë në vend.

Trump të premten e kaluar në një postim në Twitter kishte njoftuar se ai do të sillte 20 për qind taksë shtesë doganore mbi makinat e importuara nga Evropa nëse Bashkimi Evropian nuk do të heqë tarifat dhe barrierat tregtare për vendin e tij. aa

Trump: gazetarët duhet të punojnë të lirë prej frikës se mund të sulmohen

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë “të lirë prej frikës” se mund të sulmohen. Komentet zoti Trump i bëri gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë, një ditë pasi një person i armatosur vrau pesë vetë në një gazetë në Merilend të SHBA-së.

Ky sulm tronditi ndërgjegjen e kombit tonë dhe i mbushi zemrat tona me pikëllim. Gazetarët, si të gjithë amerikanët, duhet të jenë të lirë nga frika se po sulmohen dhunshëm gjatë punës së tyre“, tha zoti Trump.

Dyshohet se sulmi në redaksinë e gazetës lokale në kryeqytetin e Merilandit, Anapolis ishte hakmarrje ndaj personelit të gazetës dhe se autori u nis me synimin për të vrarë persona të caktuar në ekipin redaksional. Pesë vetë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën gjatë sulmit.

Policia thotë se sulmi u krye nga 38-vjeçari Jarrod Ramos, i cili vuri në shenjestër redaksinë e së përditshmes Capital Gazette dje pasdite. Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, i dyshuari qëlloi derën prej xhami dhe u fut në redaksinë e gazetës, duke vrarë dy gazetarë, dy redaktorë dhe një ndihmëse të marketingut.

Autoritetet thonë se incidenti ishte një “atentat” dhe se autori po kërkonte në redaksi persona të caktuar që kishte në plan t’i vriste. Në vitin 2015, Jarrod Ramos humbi padinë gjyqësore për shpifje ndaj gazetës.

“Ai ka bërë kërcënime me media sociale. Po përpiqemi të konfirmojmë llogaritë në median sociale dhe personin që i krijoi,” tha një përfaqësues i forcave të rendit për komunën Anne Arundel.

Policia mbërriti në skenën e ngjarjes pak minuta pasi filluan të shtënat dhe e arrestoi Jarrod Ramosin, i cili ishte fshehur nën një tavolinë pune.

Autoritetet e morën në pyetje të dyshuarin për të zbuluar motivin e sulmit. Ata gjithashtu kanë kontrolluar banesën e tij në qytetin Lorel të Merilandit për të mbledhur të dhëna të tjera për aktin që ka tronditur këtë komunitet të qetë.

“Nuk të shkon mendja që mund të ndodhë në qytetin tënd. Isha ndoshta 500 metra larg. Kur e kupton që ndodhi kaq pranë, tronditesh,” thotë një banor.

Incidenti në redaksinë e gazetës Capital Gazette besohet se është një ndër sulmet më të përgjakshme të kohëve të fundit ndaj medias në Amerikë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders postoi në Twitter komentin “Një sulm i dhunshëm ndaj gazetarëve të pafajshëm që po bënin detyrën është një sulm ndaj çdo amerikani”.

Wess Mitchell: Evropa, skenë e konkurrencës strategjike

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Wess Mitchell tha se Evropa është bërë përsëri skenë e konkurrencës serioze strategjike. Në një seancë dëgjimore në Senat, diplomati amerikan tha se Evropa po përballet me presione në shumë fronte si fushatat strategjike nga ana e Rusisë dhe Kinës, vala rekord e emigracionit, ambicjet e Iranit në Mesdhe dhe një krizë besimi në institucionet evropiane.

Rusia dhe Kina janë veçanërisht agresive në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe përparësia jonë është të frenojmë agresionin rus, tha ndihmës sekretari Mitchell.

“Ne kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me Rusinë. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur Rusia të ndalë sjelljen e saj agresive,” tha zoti Mitchell.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara po rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se e sheh zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë të një përmase si marrëveshja e Dejtonit që i dha fund konfliktit të viteve 90 në Ballkan. Ai tha se efektet e suksesit të marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë do të shërbejnë si një mundësi e mirë për të vazhduar zgjidhjen e problemeve të tjera në Ballkan, si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë.

Kongresmeni Eliot Engel fiton bindshën primaret në Nju Jork, feston me shqiponjën

Përfaqësuesi për qarkun e 16 të Nju Jorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Eliot Engel mundi tre kundërshtarët e tij në një fitore bindëse një ditë më parë në primaren e Partisë Demokratike në distriktin 16.

Engel kategorizoi fitoren e tij si një vazhdim i një rryme anti-Trump që më parë shënoi fitore në Ëestchester me George Latimer dhe Nju Jork me Shelley Mayer.

“Do të fitojmë zgjedhje pas zgjedhjeje e pas zgjedhjeje,” tha Engel për mbështetësit e tij, me të cilët ishte mbledhur në restorantin e quajtur Ciao.

“Nisi me George dhe Shelley dhe vazhdoi me mua. Dhe ne do t’i dërgojmë një mesazh Uashingtonit dhe presidentit Trump, që jemi të sëmurë e të lodhur me absurditetin e tij dhe se duam ndryshim”.

Eliot Engel (2)

Engel, që ndodhet në zyrë prej vitit 1989, konkurroi me tre kundërshtarët: ekzekutivin e Scarsdale, Jonathan Leëis, biznesmenin e Mount Vernnon, Derickson Laurence dhe aktivistin e Bronx, Joyce Briscoe.

Edhe pse rezultatet nuk kishin dalë ende, Engel kishte shumë përparësi me 75% të votave.

Engel, i njohur si mik i shqiptarëve, pas fitores me mbështetësit e tij ka bërë edhe simbolin e shqiponjës me duar

Kur ishte kryetar i Kongresit të Komitetit për Çështjet Shqiptare, Engel luftoi spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë në vitin 1999 dhe shprehu mbështetje në Kongres për pavarësinë e Kosovës. Një rrugë në Pejë ka marrë emrin e tij.

Eliot Engel (4)

BalkanWeb

Shtetet amerikane hedhin në gjyq administratën e Trumpit

Pamje të emigrantëve në Teksas, SHBA.

Shtatëmbëdhjetë shtete amerikane kanë paditur administratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump për siç është thënë ndarjen e familjeve të emigrantëve në mënyrë “mizore dhe të paligjshme”.

Prokurorët e Përgjithshëm demokratikë nga disa vende duke përfshirë, Uashingtonin, Nju-Jorkun dhe Kaliforninë kanë prezantuar veprimin ligjor.

Në padi kundërshtohet politika e refuzimit të hyrjes për azilkërkuesit në kufirin SHBA-Meksikë.

Në po të njëjtën kohë, një gjykatë në Kaliforni ka marrë vendim që të gjitha familjet e migrantëve të ndara në kufirin amerikan duhet të bashkohen brenda 30 ditëve.

Gjyqtari në San Diego, Dana Sabraw, po ashtu ka thënë se fëmijët nën moshën pesëvjeçare duhet të kthehen te prindërit e tyre brenda 14 ditëve.

Javën e kaluar, presidenti Trump ka bërë thirrje për dëbim të migrantëve, vetëm disa ditë pasi ka nënshkruar udhrin ekzekutiv për t’i mbajtur familjet të bashkuara.

Këto vende tani po kërkojnë nga gjykata një urdhër që do të bashkonte familjet dhe do të ndalonte praktiken e ndarjes, duke e cilësuar këtë veprim, “në kundërshtim me Kushtetutën”.

Gjykata Supreme në SHBA mbështet vendimin e Trumpit për ndalim-udhëtim

Gjykata Supreme në SHBA

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka mbështetur udhërin e presidentit amerikan, Donald Trump për të kufizuar udhëtimin në SHBA, të qytetarëve të disa vendeve me shumicë myslimane.

Me pesë vota për dhe katër kundër, Gjykata ka konstatuar se ndalimi i udhëtimit nuk është diskriminues ndaj myslimanëve dhe nuk e tejkalon autoritetin e presidentit.

Gjykata ka thënë se sfiduesit e vendimit nuk kanë arritur të dëshmojnë se ndalesa shkel ligjin e emigrimit në SHBA, ose amendamentin e parë të kushtetutës.

Urdhër-ndalimi ishte konsideruar jokushtetues nga gjykatat më të ulëta.

Ai po ashtu ishte kritikuar nga grupe të refugjatëve dhe të të drejtave të njeriut.

Ndalimi vlen për shumicën e qytetarëve nga Irani, Libia, Koreja Veriore, Somalia, Venezuela, dhe Yemeni në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Prodhimet amerikane fillojnë të ndjejnë koston e tarifave të BE-së

Harley-Davidson planifikon të zhvendosë një pjesë të prodhimit të motorëve jashtë Shteteve të Bashkuara, për të shmangur, siç tha, barrën e tarifave të Bashkimit Evropian.

Javën e kaluar, BE-ja vuri taksa hakmarrëse mbi prodhimet amerikane, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vënë tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut nga Evropa dhe vende të tjera aleate.

Fabrika e motorëve, Harley-Davidson, me seli në shtetin Uiskonsin, ka degë në Australi, Brazil, Indi dhe Tajlandë.

Kompania tha se do të rrisë investimet në fabrikat e saj ndërkombëtare, por nuk tregoi se në cilat.

“Për të adresuar koston e madhe të tarifave të BE-së, Harley-Davidson do të zhvendosë prodhimin e motoçikletave”, tha kompania.

Sipas Harley-Davidson, tarifat kanë shtuar mesatarisht 2,200 dollarë për çdo motor të eksportuar nga SHBA-ja në BE.

Presidenti Trump pret Mbretin Abdullah II në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Donald Trump u takua të hënën pasdite në Shtëpinë e Bardhë Mbretin Abdullah II të Jordanisë.

Presidenti dhe Zonja e Parë Melania Trump i pritën në Dhomën Ovale mbretin Abdullah dha bashkëshorten e tij Mbretëreshën Rania.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump dhe mbreti jordanez prekën në takim çështje si “terrorizmi, kërcënimi nga Irani, kriza në Siri, si dhe përpjekjet për një paqe afatgjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve.”

Këshilltari i Presidentit dhe njëkohësisht dhëndërri i tij, Jared Kushner, u takua kohët e fundit me zotin Abdullah, gjatë vizitës së tij në Lindjen e Mesme, që synonte të hidheshin bazat për një plan paqeje mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Plani mendohet se mund të kundërshtohet nga palestinezët, ngaqë Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytetit të Izraelit, një çështje e shumëdebatur në Lindjen e Mesme.

Restoranti në Virxhinia refuzon të shërbejë Sarah Sandersit

Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders ka konfirmuar se i është kërkuar që të largohet nga një restorant në Virxhinia sepse ajo punon për presidentin Donald Trump. Ky rast ka nxitur një debat rreth asaj nëse polita duhet të luajë rol në mënyrën se si zyrtarët e administratës trajtohen në publik.

Sanders është në mesin e zyrtarëve të administratës Trump që nuk është pritur mirë në ndonjë restorant.

Sekretarja Sanders ka shkruar në Twitter se pronari i restorantit Red Hen në Lexington të Virxhinias, ka kërkuar nga ajo që “të largohet pasi punon për presidentin dhe unë jam larguar me qetësi”.

Ajo ka thënë kjo ngjarje më shumë ka të bëjë me pronarin e restorantit sesa me të.

Bashkëpronarja e restorantit, Stephanie Wilkinsion i ka thënë Washington Post se stafi i saj e kishte thirrut për t’i treguar se Sanders është në restorant.

Wilkinson ka dhënë një sërë arsyesh për këtë ngjarje, duke përmendur shqetësimet e pjesëtarëve të stafit të saj të cilët janë homoseksualë dhe që e dinin se Sanders ka mbështetur presidentin Trump në thirrjet e tij për t’ua ndaluar personave transgjinorë që të shërbejnë në ushtri.

Ndarja e familjeve që po tentojnë të hyjnë në SHBA nga kufiri jugor po ashtu ka intensifikuar dallimet politike mes njerëzve.

Më herët gjatë kësaj jave, Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen ishte detyruar që të largohet nga një restorant meksikan në Uashington, pasi protestuesit kishin brohoritur “Turp”, derisa ajo u detyrua që të largohet.

Disa ditë më parë, ndihmësi i Trumpit, Stephen Miller – një këshilltar i rëndësishëm për çështjen e imigracionit – ishte konfrontuar nga një person në një restorant meksikan në Uashington, i cili e kishte quajtur Millerin “fashist”. rel

SHBA konfirmon vizitën e Boltonit në Moskë

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të udhëtojë drejt Moskës në ditët në vijim për të diskutuar ndonjë takim të mundshëm në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit rus, Vladimir Putin, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, disa orë pas deklaratave të Kremlinit për mundësinë e një takimi të tillë.

“Më 25-27 qershor, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton do të takohet me aleatët amerikanë në Londër dhe Romë për të diskutuar çështjet e sigurisë kombëtare dhe do të udhëtojë në Moskë për të diskutuar zhvillimin e ndonjë takimi eventual në mes të presidentit Trump dhe homologut të tij rus, Putin”, ka njoftuar asistentja speciale e presidentit, Garrett Marquis.

Ende nuk është bërë e ditur agjenda e Boltonit gjatë këtyre ditëve.

Njoftimet amerikane kanë ardhur disa orë pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u ka thënë gazetarëve se ka mundësi që Bolton të vizitojë Moskën.

“Për aq sa dimë deri tash, takimi do të ndodhë. Kjo është e gjitha që mund të themi tani”, ka thënë Peskov para gazetarëve më 21 qershor.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Rusia është e gatshme “për të kontaktuar” me Shtetet e Bashkuara.

“Nëse arrihet marrëveshja për mbajtjen e takimit të nivelit të lartë, do të bëhet publike”, është shprehur ai.

Më 9 qershor, Peskov ka thënë se presidenti rus dhe ai amerikan kanë diskutuar detaje të takimit të tyre, në një bisedë telefonike në muajin mars, duke përmendur Vjenën si vend të mundshëm për takim.

Presidenti amerikan pati thënë në muajin mars se do të takohej me Putinin, mirëpo nga ajo kohë marrëdhëniet në mes të Uashingtonit dhe Moskës janë përkeqësuar për shkak të konfliktit në Siri dhe helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal në Britani.

Trump, urdhër ekzekutiv për të mbajtur të bashkuara familjet emigrante

Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv mbi emigracionin për të trajtuar çështjen e ndarjes së familjeve emigrante në kufi.

“Ne duam të mbajmë së bashku familjet,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Do të nënshkruajmë së shpejti një urdhër ekzekutiv”, tha ai.

Komentet e tij erdhën pas njoftimeve se Sekretarja e tij e Sigurisë Kombëtare Kirstjen Nielsen kishte hartuar një akt ekzekutiv për t’u nënshkruar nga zoti Trump, që udhëzonte këtë departament për t’i mbajtur familjet së bashku në paraburgim pasi të ishin ndaluar gjatë kalimit të kufirit.

Administrata Trump është vënë nën kritika të ashpra lidhur me politikën e saj për ndarjen e familjeve emigrante kur kalojnë ilegalisht kufirin jugor të SHBA.

Ndërkohë Presidenti amerikan Donald Trump iu rikthye të mërkurën sulmeve të tij ndaj medias dhe opozitën demokrate për mënyrën se si ata po e përshkruajnë politikën e administratës së tij për të ndarë familjet e imigrantëve kur ata kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin jugor amerikan.

Zoti Trump thotë se mediat kryesore amerikane “nuk po përmendin sigurinë e vendit kur flasin për imigracionin e paligjshëm”. Sipas tij “ligjet amerikane të emigracionit janë më të dobtat dhe më të këqijat se kudo në botë” dhe se demokratët “nuk do të bënin asgjë për t’i ndryshuar”.

Është faji i demokratëve, ata nuk po na japin votat e nevojshme për të miratuar legjislacionin e duhur për emigracionin“, shkruante zoti Trump duke injoruar faktin që republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. “Ata duan kufij të hapur, që ushqejnë krime të tmerrshme, republikanët duan sigurinë. Por unë po përpiqem të bëj diçka” ”, shkruante zoti Trump.

SHBA tërhiqen nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të martën nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, duke e akuzuar atë për “subjektivizëm kronik ndaj Izraelit”, një hap që aktivistët paralajmërojnë se do ta bëjë edhe më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut në nivel global.

Duke qëndruar përkrah sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, kritikoi Rusinë, Kinën, Kubën dhe Egjiptin për pengimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për reformimin e këshillit. Ajo gjithashtu kritikoi vendet që ndajnë vlerat amerikane dhe e inkurajuan Washingtonin të qëndrojë, por “nuk ishin të gatshëm të sfidojnë seriozisht status quo-në”.

Administrata e presidentit Donald Trump kishte kërcënuar prej një kohë të gjatë se do të largohej nga këshilli prej 47 anëtarësh me seli ne Gjenevë, nëse ai nuk riorganizohet.

“Shikoni anëtarësinë e këshillit dhe shihni një mosrespektim të tmerrshëm për të drejtat më themelore”, tha ambasadorja Haley, duke vënë theksin tek Venezuela, Kina, Kuba dhe Republika Demokratike e Kongos.

Nikki Haley tha gjithashtu se “përqendrimi i pabarabartë dhe armiqësia e pafundme ndaj Izraelit, është një provë e qartë se këshilli është i motivuar nga paragjykimet politike e jo nga të drejtat e njeriut”.

Sekretari Pompeo, tha se nuk kishte dyshim se këshilli dikur kishte një “vizion fisnik”.

Por “sot duhet të jemi të sinqertë. Këshilli i të Drejtave të Njeriut është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut”, tha ai.

Tërheqja e Uashingtonit është refuzimi i fundit i një angazhimi shumëpalësh, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

Ajo pasoi edhe kritikat e shtuara ndaj Shteteve të Bashkuara për ndarjen e fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin me Meksikon. Komisionari i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein, i bëri thirrje të hënën Washingtonit t’i jap fund politikës së “paskrupullt”.

Grupet për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar administratën e presidentit Trump që nuk i ka bërë të drejtat e njeriut përparësi të politikës së jashtme

Ambasadorja Haley tha se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Këshilli, “nuk është tërheqje nga përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut”.

Dymbëdhjetë grupe të të drejtave të njeriut dhe të ndihmës, përfshirë edhe organizatat, Save the Children dhe CARE, i shkruan sekretarit Pompeo duke paralajmëruar se tërheqja “do ta bëjë më të vështirë përparimin e të drejtave të njeriut dhe ndihmën për viktimat e abuzimeve gjithandej nëpër botë”.

Grupi hebraik i të drejtave të njeriut, qendra Simon Wiesenthal, mirëpriti tërheqjen amerikane dhe u bëri thirrje vendeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Këshilli mblidhet tri herë në vit për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në të gjithë botën. Ai ka mandatuar hetues të pavarur për të shqyrtuar situatën në Siri, Korenë e Veriut, Mianmar dhe Sudanin Jugor. Rezolutat e tij nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por kanë peshë morale.

Kur Këshilli u krijua në vitin 2006, administrata e presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush, e shmangu atë.

Gjatë mandatit të presidentit Barack Obama, Shtetet e Bashkuara u zgjodhën dy herë radhazi nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Në vitin 2016, pas një vit pushimi, Washingtoni u rizgjodh për mandatin e tij të tretë.

Nikki Haley tha një vit më parë se Uashingtoni po rishikon anëtarësinë e tij dhe bëri thirrje për reforma dhe eliminimin e një “subjektivizmi kronik ndaj Izraelit”. Trupi ka një pikë të përhershme të rendit të ditës mbi shkeljet e dyshuara të kryera nga Izraeli në territoret e okupuara palestineze gjë të cilën Washingtoni donte që të hiqej.

Muajin e kaluar këshilli votoi për të hetuar vrasjet në Gaza dhe e akuzoi Izraelin për përdorimin e forcës së tepruar. Shtetet e Bashkuara dhe Australia ishin të vetmet që votuan kundër.


Send this to a friend