VOAL

VOAL

Përdorimi i internetit nga agjentët rusë

Në epokën para Internetit, spiunët përballeshin me më shumë sfida se tani në përpjekjet e tyre për të depërtuar në qarqet politike perëndimore, për të mbledhur informacione, për të identifikuar rekrutë potencialë, për të marrë ndihmën e simpatizantëve dhe për të ngritur operacione aktive, si ndërhyrja në zgjedhjet e një vendi të huaj.

Tani ata përfitojnë nga mediat sociale si Facebook dhe LinkedIn për të zgjeruar kontaktet e tyre, thonë ish-zyrtarët dhe zyrtarët e shërbimeve inteligjente amerikane dhe britanike.

Qeveritë perëndimore akuzojnë shërbimet e zbulimit rus për shfrytëzim të gjerë për qëllime propaganduese të platformave të mediave sociale, ku ata mund të përhapin “lajme të rreme”, acarojnë grindjet politike në shtetet kundërshtare dhe ndërmarrin fushata të ndikimit në përpjekje për të ndryshuar opinionin publik perëndimor. Por spiunët rusë, në krahasim me trollët (përdoruesit e internetit që bëjnë komente për të avancuar synimet e tyre), janë duke përdorur faqet e rrjeteve në mënyra shumë më të sofistikuara për të depërtuar në qarqet politike perëndimore.

Maria Butina, që dyshohet se është spiune ruse, të cilën prokurorët amerikanë besojnë se e kanë demaskuar, është një mësim se si mediat sociale mund të ndihmojnë operacionet e fshehta të ndikimit, jo vetëm në platforma propaganduese që synojnë të lëkundin ose të shtrembërojnë opinionin publik, tha një zyrtar amerikan i kundër-zbulimit i cili kërkoi që emri i tij të mos identifikohej në këtë artikull.

Në epokën para Internet-it, agjentët rusë kishin për objektiv organizatat dhe ambasadat të cilat organizonin konferenca, diskutime dhe prezantonin raporte dhe analiza mbi çështje të ndryshme politike, ekonomike etj. Por tani ata mund të kombinojnë praninë fizike me atë virtuale. “Butina po përdorte metodën e vjetër, duke u paraqitur në ngjarje politike, duke vendosur kontakte dhe pastaj duke u miqësuar me ta në Facebook ose LinkedIn dhe anasjelltas. Platformat e mediave sociale janë të dobishme në krijimin e rrjeteve të miqësisë,” shton ai.

Butina, 29 vjeç, u akuzua javën e kaluar se ka vepruar si agjente për Kremlinin në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë pohon se ajo ishte në kontakt të rregullt me shërbimet e inteligjencës ruse. Ajo është akuzuar për komplot për të vepruar në emër të qeverisë ruse dhe mos regjistrim si agjente e huaj. Ajo nuk është akuzuar zyrtarisht për spiunazh, pasi ka shumë të ngjarë që roli i saj nuk ishte vjedhja e sekreteve shtetërore dhe ushtarake, por krijimi i kontakteve në qarqet politike amerikane në mënyrë që ato t’i shërbenin qëllimeve të politikës së jashtme të Rusisë, duke përfshirë thellimin e ndarjeve partiake në vendet perëndimore dhe krijimin e rrugëve për ndikim.

Prokurorët federalë akuzojnë Butinën për komplot me dy shtetas amerikanë, me njërin prej të cilëve ajo ka bashkëjetuar, dhe një zyrtar të lartë rus për të ndikuar në politikën amerikane ndaj Rusisë duke infiltruar grupin që promovon të drejtën e armëmbajtjes, Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me ndikim në administratën e Presidentit Trump.

Prokurorët amerikanë pohojnë në një memorandum të dorëzuar në gjykatë në mbështetje të kërkesës për ta mbajtur në paraburgim Butinën, se aktivistja ruse për të drejtat e armëve “ka ruajtur informacionet e kontaktit të individëve të identifikuar si punonjës të FSB-së (shërbimit rus të zbulimit) ruse”. Përveç kësaj, prokurorët pretendojnë se FBI-ja kishte vëzhguar Butinën kur ajo ishte takuar për darkë private me një diplomat rus, të cilin qeveria amerikane e dëboi në mars të vitit 2018 për dyshimin se ishte oficer rus i kundërzbulimit.

Në dokumentet gjyqësore të dorëzuara nga prokurorët amerikanë javën e kaluar nuk është e qartë nëse operacioni i saj ishte nisur nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB-ja, apo nga miku i saj, Aleksandër Torshin, një bankier rus, si një mënyrë për të promovuar veten brenda administratës së Kremlinit, me një përfshirje të mëvonshme të FSB-së.

Një ish oficer britanik i kundërzbulimit thotë se ky është një dallim i pa rëndësishëm në administratën e Kremlinit të mbushur me të ashtuquajturit policë siloviki, oficerë të inteligjencës ruse, të cilët kanë lënë zyrtarisht agjencitë e sigurisë por që ende konsiderohen si të aktivizuar nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore. Shumë prej tyre mbajnë poste të larta në qeverinë e udhëheqësit rus Vladimir Putin, i cili vetë dikur ka qenë oficer i KGB-së.

Ndër teknikat më tradicionale që pohohet se Butina përdorte është edhe ofrimi i marrëdhënieve seksuale me politikanët dhe lobistët e Uashingtonit, në një rast, sipas prokurorëve amerikanë, në përpjekje për të siguruar një vend pune në një organizatë amerikane me interes të veçantë për të. Ajo jetoi dy herë me një operativ politik republikan të moshës së saj. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për lobistin Paul Erickson. Megjithatë, ajo hoqi dorë nga bashkëjetesa, dhe sipas prokurorëve ajo e trajtoi marrëdhënien “thjesht si një aspekt të domosdoshëm të aktiviteteve të saj”.

Butina nuk ka pranuar fajësinë. Avokati i saj, Robert Driscoll, thotë se ajo thjeshtë po përpiqej të ndihmonte në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë së Vladimir Putinit. Dhe ai e mohon se ajo është spiune, duke i thënë kanalit televiziv CNN të premten se shumica e veprimeve të saj “është marrë tërësisht jashtë kontekstit”.

Butina, e cila erdhi në Shtetet e Bashkuara në 2014 me një vizë studentore, krijoi një grup për promovimin e armëmbajtjes në Rusi të quajtur “E drejta për armëmbajtje”. Sipas prokurorëve amerikanë, krijimi i këtij grupi ishte planifikuar me durim nga bankieri Torshin për të infiltruar Shoqatën Amerikane të Armëve dhe grupe të tjera konservatore me synim përfundimtar depërtimin në qarqet politike amerikane.

Gazetari Michael Isikoff i agjencisë Yahoo News ka studiuar metodat e përdorura nga Butina. Ai së bashku me autorin David Corn kanë shkruar librin “Ruleta ruse: Lufta e Putinit në Amerikë dhe zgjedhja e Donald Trump-it” dhe ka ndjekur nga afër aktivitetet e Butinës.

Isikoff thotë se Butina dhe Torshini po bënin përpjekje për të ndikuar organizatat politike konservatore amerikane. Në një intervistë për radion publike amerikane, NPR ai tha: “Siç e kemi përmendur edhe në libër, një lobist republikan tregon se si iu afrua Butinës në një konferencë të grupit Konferenca e Veprimit Politik Konservator, CPAC, dhe ishte befasuar nga mënyra se si ajo ishte e kujdesshme, se si ajo donte të qëndronte në kontakt me të dhe donte të bëhej mike e tij në Facebook. Ky është një zotëri disi i moshuar, i pastër, nuk ishte mësuar me këtë vëmendje nga një grua e bukur ruse”.

Përdorimi i platformave të mediave sociale mund të shoqërohet me rreziqe. Nëse jeni shumë aktiv në Facebook, ju mund të rrisni mundësinë e tërheqjes së vëmendjes së agjentëve të kundërzbulimit dhe të gazetarëve. Në një shkëmbim elektronik me Zërin e Amerikës, Isikoff vuri në dukje se ai u bë mik i Butinës në Facebook në mënyrë që të mund ta kontaktonte atë për një intervistë.

Një zyrtar amerikan i kundërzbulimit thotë se Butina tërhoqi vëmendjen e të tjerëve si me praninë e saj në mediat sociale ashtu edhe me praninë e saj fizike. Ajo madje u thirr për të dëshmuar më parë këtë vit nga Komisioni Senatit për Inteligjencën, ku, sipas kanalit televiziv CNN, ajo zbuloi se aktivizmi i saj për armëmbajtjen kishte marrë fonde nga miliarderi rus Konstantin Nikolaev, një oligark tjetër i lidhur me Kremlinin.

Rasti i Butinës po hedh më shumë dritë mbi fushatën e sofistikuar dhe shkatërruese të ndikimit rus në Shtetet e Bashkuara dhe në Perëndim, dhe se si Kremlini ka vënë në shënjestër të dyja anët e spektrit politik, thonë zyrtarët perëndimorë. Në kohët e Bashkimit Sovjetik, Moska përqëndrohej në partitë e ekstremit të majtë dhe në grupet e çarmatimit bërthamor, por siç theksohet në raportin e vitit 2014 të organizatës Political Capital me seli në Budapest, Kremlini në vitet e fundit është bërë më i sofistikuar, duke vënë në shënjestër si lëvizjet populiste të spektrit të djathtë ashtu edhe atij të majtë në vendet perëndimore.

Natyra politikisht dinake e fushatave të zbulimit dhe ndikimit rus u shfaq në mënyrë dramatike gjatë kremtimit të 10 vjetorit të transmetuesit RT (Russia Today ose Rusia Sot) të financuar nga Kremlini në dhjetor të vitit 2015. Në këtë aktivitet mori pjesë Jill Stein, kryetarja e Partisë së Gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Në këtë ceremoni, në të njejtën tavolinë ku ishte ulur Presidenti rus Vladimir Putin, ishte ulur edhe gjenerali amerikan Mike Flynn, i cili shërbeu shkurtimisht si këshilltar i sigurisë kombëtare për Presidentin Donald Trump. Më vonë ndaj Gjeneralit Flynn u ngritën akuza se kishte gënjyer FBI-në për kontaktet që kishte me zyrtarët rusë gjatë fazës së tranzicionit presidencial të zotit Trump.

SHBA, Konferencë mbi lirinë e besimit në DASH

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka organizuar konferencën e parë të Shteteve të Bashkuara mbi lirinë e besimit, duke mbledhur në Uashington zyrtarë qeverish, udhëheqës fetarë, aktivistë për të drejtat civile dhe pjesëtarë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.

Zoti Pompeo tha për faqen elektronike të Vatikanit se misioni i takimit që filloi të martën është “shumë i drejtpërdrejtë dhe i rëndësishëm”. Ai tha se synimi është “të përhapet fjala për rëndësinë e lirisë së besimit për çdo individ në botë”.

“Njerëz të të gjitha besimeve duhet të kenë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre ashtu si zgjedhin, ose të mos ushtrojnë një besim fetar nëse nuk duan,” tha zoti Pompeo.

Sekretari i Shtetit tha se në Uashington janë ftuar 40 ministra të jashtëm për konferencën tri-ditëshe. Ky është numri më i madh i shefave të diplomacisë të mbledhur ndonjëherë në Departamentin e Shtetit.

Siç u shpreh zoti Pompeo, administrata Trump sheh një lidhje të thellë mes lirisë së besimit, të drejtave të njeriut dhe interesave ekonomike.

“Kur njerëzve u jepet mundësia të veprojnë lirisht për sa i përket besimit, ata kanë aftësinë të arrijnë vepra madhore. Investitorët preferojnë vende ku ka liri të gjerë feje. Ata i shohin vendet me liri fetare si vende më të hapura dhe më pak të rrezikshme,” tha Sekretari i Shtetit, Pompeo.

Në një intervistë për Rrjetin e Transmetimeve të Krishtera, zoti Pompeo tha se konferenca do të dalë me një numër nismash që do të njoftohen gjatë punimeve.

Trumpi shqyrton t’ua heqë autorizimin formal ish-zyrtarëve të Obamës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke shqyrtuar t’ua heqë autorizimin formal gjashtë ish-zyrtarëve të inteligjencës dhe të sundimit të ligjit, të cilët kritikojnë shpesh presidentin, tha Shtëpia e Bardhë.

Të gjashtit i përkasin administratës së ish-presidentit Barack Obama dhe përfshijnë: ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan, ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, ish-drejtoin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Michael Hayden, ish-këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Susan Rice, dhe ish-zëvendësdrejtorin e FBI-së, Andrew McCabe.

Brennan ka kritikuar ashpër takimin e Trumpit me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, duke e cilësuar konferencën e tyre të përbashkët për media si “asgjë më pak se tradhti”.

Kjo, pasi Trump ka hedhur dyshime mbi konstatimet e agjencive amerikane të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, dhe ka pranuar mohimin e Putinit.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Trump është duke shqyrtuar mekanizmat për t’iu hequr autorizimin të gjashtë zyrtarëve.

Ajo tha se ish-zyrtarët kanë bërë akuza të pabaza për kontakte të papërshtatshme me Rusinë.

Autorizimi zyrtar është një status që u mundëson individëve qasje në informacione të klasifikuara.

Reagimi i Trumpit ndaj kritikëve është njëjtë si “totalitarizmi”, shkroi senatori demokrat, Mazie Hirono, në Twitter.

Luftë fjalësh ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi presidentin iranian, Hassan Rouhani, që “asnjëherë të mos kërcënojë Shtetet e Bashkuara”, në një koment në twitter, pak kohë pasi që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, mbajti një fjalim kritik ndaj udhëheqësve të Iranit.

“Për presidentin iranian, Rouhani: Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara, ose do të përballeni me pasoja çfarë kanë pësuar shumë pak deri tash në histori. Nuk jemi më vendi që do të rrijë duarkryq përballë fjalëve tuaja të marra të dhunës e vdekjes. Kujdes”, shkroi presidenti Trump të dielën vonë.

Ai u është përgjigjur kësisoj raportimeve të së dielës që citonin presidentin iranian Rouhani të ketë paralajmëruar presidentin Trump, “që të mos luaj me bishtin e luanit”.

“Amerika duhet ta kuptojë mirë se paqja me Iranin është nëna e paqes dhe lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftërave”, citohet të ketë thënë ai.

Sekretari Pompeo, tha gjatë një fjalimi në Kaliforni se qeveria e Iranit është shndërruar në makth për qytetarët e Iranit.

Shefi i diplomacisë amerikane tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë frikë që të ushtrojnë trysni mbi qeverinë iranianë në nivelin më të lartë, duke u bërë thirrje aleatëve të Shteteve të Bashkuara që t’i bashkohen trysnisë financiare mbi qeverinë e Teheranit.

“Kjo vlen posaçërisht për aleatët në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, qytetarët e të cilëve janë terrorizuar nga veprimtaritë e dhunshme të regjimit për dekada të tëra”, tha sekretari Pompeo.

Ai tha se administrata e presidentit Trump, nuk do të heshtë përballë, siç tha ai, krimeve dhe shkeljeve të shumta të qeverisë iraniane.

Kjo përfshinë kleptokracinë, thaë sekretari Pompeo, duke nënvizuar se ata në krye kanë shpenzuar mirëqenien e njerëzve në terrorizëm e vjedhje dhe në zellin për të përhapur revolucionin islamik në vende të tjera.

Sekretari Pompeo tha se ekonomia e Iranit “është e shkëlqyer”, por vetëm për elitën, duke akuzuar ajatollahët dhe udhëheqësit e lartë për mbushje të xhepave të tyre me miliarda dollarë, ndërsa një e treta e iranianëve jetojnë në varfëri.

“Gjykuar nga pasuria e tyre e madhe, ata duken më të shqetësuar me pasuritë sesa me besimin”, tha ai. “Këta njerëz të shenjtë hipokritë kanë ngritur të gjitha llojet e skemave mashtruese që të bëhen disa prej burrave më të pasur në botë, ndërsa njerëzit e tyre vuajnë”.

Derisa sekretari Pompeo po fliste për mungesën e lirisë së shprehjes në Iran, ndërpre nga një protestues. Sekretari qëndroi i qetë para se të theksonte se iranianët duhet të kenë të njëjtën liri të shprehjes.

Sekretari njoftoi gjithashtu se BBG, që mbikëqyrë Zërin e Amerikës, po ndërmerr hapa të rinj për t’i ndihmuar iranianët të shmangin censurën e internetit. BBG gjithashtu po hap një kanal të ri 24 orësh në gjuhën farsi në televizion, radio dhe rrjetet sociale.

Ai tha se synimi i Shteteve të Bashkuara është që të shohë iranianët të jetojnë brenda vendit të tyre njësoj sikurse edhe iranianët ne Shtetet e Bashkuara.

Me vështrim nga Marsi, kujtohet 50-vjetori i vizitës së parë në Hënë

Në Qendrën e Hapësirës Kennedy, në Florida u mbajt një ceremoni që shënoi fillimin e festimeve me rastin e 50 vjetorit të zbritjes së njeriut të parë në Hënë.

Në ceremoni folën një numër astronautës dhe më pas ajo vijoi me dhënien e medaljeve për punonjës të NASA-s dhe njerëzit më të shquar të fushës së hapësirës.

Pjesë e festimeve këtë 50-vjetor të vizitës së parë në Hënë, është edhe një ankand për artikuj të hapësirës, që i përkasin astonautëve amerikanëç në këta 50 vjet histori të industrisë së hapësirës.

Në mesin e qindra pjesëmarrësve në ceremoni ndodheshin emra të njohur të hapësirës dhe të shkencave që e studjojnë atë, si fizikani i njohur britanik Brian Cox.

Ish drejtori i qendrës së hapësirës Kennedy Gerry Griffin, i cili pati drejtuar të gjitha ekipet e misioneve Apollo, U nderua me medaljen e pinonierit në fushën e hapësirës. Ai tha se hapi i ardhshëm për NASË-n ka për të qenë kthimi i amerikanëve në Hënë dhe vizita në planetin Mars.

Trumpi shpreh përsëri bindjen se fushata e tij më 2016 ishte përgjuar

Presidenti Donald Trump tha të dielën se dokumetet e bëra publike kohët e fundit lidhur me origjinën e një hetimi ndaj një ish ndihmësi të tij për lidhje të mundshme me Rusinë e përforcojnë më tej thënien e tij se hetuesit e qeverisë amerikane përgjonin fushatën e tij elektorale të vitit 2016.

Në një koment në Twitter, presidenti shkruante se dokumentet provojnë se “Departementi i Drejtësisë dhe FBI-ja e çorjentuan gjykatën, një “gjueti shtrigash me mashtrime”, – shkruante presidenti.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1020978929736265729

Nuk është e qartë arsyeja përse Trump mendon se Gjykata e Survejimit të Zbulimit të Huaj ishte çorjentuar në përgjimet e qeverisë në vitin 2016, dhe vitin e kaluar, me ardhjen e tij në pushtet, për të regjistruar dhe përgjuar ish ndihmësin e tij Carter Page.

Senatori republikan Marco Rubio, rivali i zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016, i tha CNN-it se nuk mendonte që FBI-ja kishte bërë diçka të gabuar, duke survejuar zotin Page.

FBI pati thënë në tetor të vitit 2016 se “dyshohej që Page kishte qenë objekt rekritimi nga qeveria ruse”.

Ndaj zotit Page, i cili prej një kohe të gjatë ka mohuar të ketë qenë agjent rus, nuk janë ngritur akuza kriminale.

Të dielën ai pranoi në një intervistë për CNN-in, se i kishte dhënë këshilla Kremlinit për energjinë në një konferencë të vitit 2013 në Rusi dhe se pati mbajtur atje një fjalim në vitin 2016, me rastin e diplomimit të studentëve.

Por ai hodhi poshtë si “qesharake” çdo akuzë se ai i kishte shërbyer si agjent Moskës. “Është qesharake, unë nuk kam qenë kurrë agjent i ndonjë shteti të huaj”, tha Page.

Përgjimet nga FBI-ja u provuan në katër raste nga gjykatësit e emëruar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA, John Roberts. Trump dhe aleatët e tij republikanë në Kongres, thonë, se vendimi i FBI-së për të kryer përgjimet ishte mbështetur tek një dosje mbi lidhjet e zotit Trump me Rusinë, e hartuar nga Christopher Steele, një ish agjent britanik, i paguar nga fushata e rivales demokrate të Donald Trumpit, Hillary Clinton.

Por dokumentet e publikuara të shtunën me kërkesën e disa mediave, zbulojnë se FBI-ja nuk ishte bazuar shumë tek dosja e zotit Steele.

Pushteti presidencial, çështje kyçe në betejën për postin e Gjykatës së Lartë

Kandidati i Presidentit Donald Trump për Gjykatën e Lartë, gjykatësi Brett Kavanaugh, mund të përballet me pyetje të ashpra në seancën për konfirmimin e tij në javët e ardhshme. Një nga drejtimet ku pritet që t’i bëhet më shumë presion, është pikëpamja e tij për kompetencat e Presidentit që ai mendon se duhet të jenë shumë të gjera. Është një aspekt ku pritet që demokratët të përqendrohen në lidhje me hetimin për Rusinë.

“Është nder dhe privilegj të njoftoj se do të emëroj gjykatësin Brett Kavanaugh për postin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara”.

Kur u emërua nga Presidenti Trump, zoti Kavanaugh premtoi se do të sillte në gjykatë një mënyrë të menduari të pavarur.

“Unë besoj se një sistem gjyqësor i pavarur është gur themeli në republikën tonë kushtetuese. Nëse konfirmohem nga senati, do të mbaj një mendje të hapur në çdo rast dhe gjithmonë do të përpiqem që të respektoj kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe shtetin ligjor amerikan”.

Megjithatë demokratët kanë premtuar që ta kundërshtojnë emërimin e zotit Kavanaugh, të shqetësuar se pikëpamjet e tij konservatore mund ta ndyshojnë prirjen e Gjykatës së Lartë nga e djathta për një brez të tërë:

“Zoti president, ndjehem i nderuar që ju kam shërbyer ju dhe presidencës për pesë vjet e gjysëm”.

Demokratët në veçanti kanë shprehur shqetësim për pikëpamjen e zotit Kavanaugh për kompetenca të gjera presidenciale, që e ka burimin tek puna e tij për Presidentin George W. Bush.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer:

“Zoti Kavanaugh jo vetëm që ka thënë që presidenti nuk mund të detyrohet të merret në pyetje, por që një president nuk duhet të hetohet. Zoti Kavanaugh, a është presidenti mbi ligjin?”

Zoti Kavanaugh ka shkruar se presidentëve nuk duhet t’u tërhiqet vëmendja nga hetime civile ose penale.

Eksperti ligjor Jonathan Turley ka një pikëpamje të gjerë për kompetencat presidenciale:

“Qëndrimi që i vjen më natyrshëm zotit Kavanaugh është neni II i Kushtetutës për kompetencat e Presidentit. Ai ka prirjen që të mendojë se presidentët duhet të kenë shumë pushtet. Kjo vetëm do ta ndihmonte Presidentin Trump nëse çështja shkon para gjykatës. Por kjo është filozofia e tij. Nuk do të thotë se është i njëanshëm”.

Pikëpamja e zotit Kavanaugh i shqetëson aktivistët liberale si Drew Courtney:

“Brett Kavanaugh ka një këndvështrim të frikshëm për pushtetin presidencial dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme po të kesh parasysh hetimet që po bëhen aktualisht”.

Nuk ka dyshim që zoti Kavanaugh do të pyetet intensivisht për këtë çështje gjatë seancës së konfirmimit, veçanërisht duke pasur parasysh hetimin për lidhjet me Rusinë, thotë analistja ligjore, Kate Shaw.

“Prandaj, nëse për shembull presidenti vendos që të mos e bëjë intervistën dhe prokurori i posaçëm, Mueller përpiqet ta detyrojë ligjërisht presidentin, është një pyetje e hapur nëse mund ta bësh një gjë të tillë me një president në detyrë dhe kjo çështje mund të përfundojë shumë shpejt në Gjykatën e Lartë nëse ka një luftë ligjore lidhur me të”.

Aleatët republikanë të zotit Kavanaugh thonë se janë të përgatitur për një sërë sulmesh lidhur me karrierën e tij, përfshirë udhëheqësin e shumicës në Senat, Mitch McConnell.

“Kjo përpjekje e ulët politike për nxitje frike është ofendim për zgjuarsinë e popullit amerikan sepse amerikanët e kuptojnë ndryshimin mes një posti politik dhe një posti juridik”.

Konfirmimi i zotit Kavanaugh kërkon një shumicë votash në Senat ku republikanët kanë një epërsi të lehtë 51 me 49.

Strategjia amerikane për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e ardhshme

Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara janë më pak se katër muaj larg. Zyrtarët po marrin masa për të parandaluar një përsëritje të ndërhyrjes ruse, të diktuar nga shërbimet amerikane të zbulimit gjatë zgjedhjeve të 2016-ës. Siç njofton korrespondentja Carrolyn Presutti, ndër këto masa është edhe një sistem që lajmëron publikun për ndërhyrjet e huaja:

Asgjë nuk është më e shenjtë për demokracinë, se sa zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votuesit vijnë me besimin se vota e tyre ka rëndësi. Por, kjo premisë është sulmuar që kur u zbulua se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e 2016-ës. Ligjvënësit thonë se pjesa e parë e strategjisë është fillimi i sanksioneve.

“I kemi vendosur sanksione Rusisë, si një mënyrë që të mbajë përgjegjësinë. Për më tepër, po sigurohemi që mos ta përsërisin dot”, tha Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Por, koha nuk premton. Po afrohen me shpejtësi zgjedhjet e mesmandatit që mbahen në muajin nëntor, kur votuesit gjykojnë për punën e një presidenti të ri, duke ruajtur, apo duke zëvendësuar ligjvënësit në Kongres.

“Ky amendament është reagimi ynë, në partneritet me shtetet amerikane, për t’i përplasur derën në fytyrë ariut rus, apo çdo rreziku tjetër që synon të godasë integritetin e zgjedhjeve tona”, tha Ligjvënësi demokrat Steny Hoyer.

Departamenti i Drejtësisë po paralajmëron tashmë publikun për ndërhyrjen e huaj në procesin zgjedhor. Në thelb të strategjisë është vigjilenca e votuesve. Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, thotë se keqbërësit kibernetikë vendosën në objektiv 21 shtete amerikane gjatë zgjedhjeve të fundit.

“Nuk kemi prova se ndonjë qeveri e huaj ja doli mbanë të ndryshojë votën, por rreziku është real”, deklaroi zoti Rosenstein.

Ndërkaq, kritikët e administratës fajësojnë Presidentin Trump për faktin që nuk krijoi një task force të posaçme, apo që nuk emëroi një drejtor të sigurisë kibernetike. Analistja Elaine Kamarck flet për rreziqet që sjell mosveprimi…

“…Do të na kontrollonte Rusia. Duke patur njerëz të cilët, me apo pa ndërgjegje, i janë mirënjohës një fuqie të huaj që nuk beson tek demokracia”, thotë ajo.

Presidenti Trump thotë se administrata e tij po bën gjithçka të mundshme për të parandaluar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet që vijnë. Kanë mbetur, megjithatë vetëm 100 ditë për të ndërtuar strategjitë për këtë qëllim.

FBI publikon dokumentet rreth hetimeve për përfshirjen ruse në zgjedhje

Byroja e Hetimeve Federale (FBI) ka publikuar dokumente që lidhen me përgjimet e fushatës së këshilltarit të Donad Trumpit për dyshimet mbi ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Raporti voluminoz me 412 faqe,i referohet Carter Page, që dyshohet se kishte bashkëpunuar me qeverinë ruse. Dokumentet u bën publike pas presionit nga shumë media.

FBI po ashtu raportoi se beson që Page ishte cak i rekrutimeve nga qeveria ruse.

Page ka mohuar deklarimet se ishte agjent rus dhe nuk është dënuar për asnjë krim. Ai la fushatën e Trumpit në shtator të vitit 2016 pas raportimeve të takimeve të tij me rusët.

Steve Bannon: Në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, një fondacion për të promovuar “një kryengritje populliste” në Evropë

VOAL – Steve Bannon, ish-strateg i Shtëpisë së Bardhë i Donald Trumpit, ka një plan për të ndikuar në zgjedhjet e Parlamentit Europian pranverën e ardhshme dhe votimin e ardhshëm në vende të ndryshme të BE-së: ndërtimin e një fondacioni në kontinentin e vjetër me qëllim promovimin e një “kryengritje populiste”. Ish-mbrojtësi i revistës së krahut të djathtë Breitbart e zbuloi atë tek “Beast Daily”, duke shpjeguar se si Matteo Salvini është një model për të ndjekur partnerët e ardhshëm të organizatës së tij jofitimprurëse. Kjo do të quhet Lëvizja dhe do të ketë detyrën për të mbështetur grupe të ndryshme anembanë Evropës që janë ende të paorganizuara.
“Italia është zemra rrahëse e politikës moderne”, tha Bannon, “dhe nëse punon këtu mund të punojë kudo”. ansa

Vritet mjeku i ish presidentit George H Bush

VOAL – Shok në Houston, Texas, ku ish-mjeku i presidentit të SHBA Xhorxh H. Bush u vra ndërsa ngiste biçikletën e tij me dy të shtëna me armë të gjuajtura nga një çiklist që erdhi në drejtimin e kundërt.
Incidenti ndodhi pikërisht në rrugën e biçikletës përballë Qendrës Mjekësore të Teksasit, ku Bush është shtruar disa herë.
Kardiologu Mark Hausknecht, 65 vjeç, do të shkonte në punonte si zakonisht kur takoi një çiklist tjetër në një biçikletë malore që, sipas përshkrimit të parë, është një rreth 30 vjeçar hispanik. Vrasësi, me kapelë bejsbolli, pastaj mori kthesë dhe u largua menjëherë. Motivi për vrasjen është ende i panjohur. Policia ka shpjeguar se po heton në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe atë të një grindjeje. Ndërkohë, familja Bush ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së mjekut të vrarë. Ansa

SHBA: Drejtori i Inteligjencës mbron deklarimet e tij ndaj presidentit Trump

Drejtori i Intelegjencës së Shteteve të Bashkuara, tha se nuk ka menduar të mos tregojë respekt ndaj vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Shtëpinë e Bardhë. Dan Coats, më 21 korrik, lëshoi një njoftim për media pas raportimeve se Trumpi ishte zemëruar me një intervistë të tij, në të cilën ai qeshte dhe gjuante me fjalë presidentin.

“Disa media kanë shtrembëruar qëllimet e mija gjatë intervistës sime. Qëllimi ime nuk ka qenë të jem i pasjellshëm ose të kritikojë veprimet e presidentit”, thuhet në njoftim.

“Unë dhe gjihe ekipi jemi të vendosur për të ofruar inteligjencën më të mirë në përkrahje të presidentit Trump, e sidomos tani në ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhje”, tha Coast.

Në intervistën televizive, 75 vjeçari tha se shpreson që Trumpi nuk do të takohej sy më sy me Putinin dhe shprehi dëshpërim që Trump publikisht injoroi agjencitë e inteligjencës në SHBA. rel

A duhet të dëshmojë përkthyesja e Presidentit?

Në SHBA, ligjvënësit demokratë po përpiqen të detyrojnë një përkthyese të qeverisë për të dëshmuar rreth asaj që është diskutuar gjatë takimit kokë më kokë të Presidentit Donald Trump me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Helsinki, megjithëse analistët ligjorë thonë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë – përveç rastit nëse vetë presidenti e lejon këtë.

Trump dhe Putin u takuan privatisht për më shumë se dy orë të hënën në Helsinki.

Në takim ishin të pranishëm vetëm përkthyesit dhe hollësitë e asaj që u diskutua mbeten të panjohura.

Demokratët duan ta detyrojnë përkthyesen e qeverisë, Marina Gross, të dëshmojë përpara ligjvënësve, ndërkohë që republikanët po e bllokojnë përpjekjet e tyre.

Thirrja që përkthyesja të dëshmojë ngre pikëpyetje në lidhje me ligjshmërinë, privilegjin ekzekutiv dhe kodin etik për përkthyesit, të cilët krenohen me konfidencialitetin dhe me besimin që u jepet.

“Nuk ka asnjë precedent për të kërkuar që përkthyesja të detyrohet të dëshmojë,” tha për Zërin e Amerikës studiuesi William Pomeranz.

Pomeranz, i cili është zëvendës drejtor i Institutit Kennan për Studimet e Avancuara Ruse të Qendrës Woodrow Wilson në Uashington, tha se ai nuk pret që përkthyesja të merret në pyetje nga Kongresi “veçanërisht për shkak se vetë synimi i takimit Trump-Putin ishte që të ishte një bisedë jashtë protokollit”.

Rosenstein mbron ndjekjen penale të agjentëve të huaj

Zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara, që po mbikëqyr hetimin lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, i ka dalë në mbrojtje procesit të ndjekjes penale të agjentëve të huaj, të cilët mund të mos dalin kurrë përpara një gjykate amerikane.

Duke folur të enjten në një forum për sigurinë në Kolorado, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein tha se shtrirja e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara nuk duhet të nënvlerësohet.

Ka shumë njerëz që mendonin se ishin të sigurt nën mbrojtjen e qeverive të huaja, kur kryen krime kundër Amerikës, por më vonë e kanë gjetur veten në burgjet amerikane”, tha ai.

Një javë më parë, zoti Rosenstein njoftoi akt-padinë e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller ndaj 12 shtetasve rusë për akuza që lidhen me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

SHBA: Jo referundimit në Ukrainën lindore

Ukraine

Zëdhënënësi i Këshillit Kombëtar për Sigurinë në Shtëpinë e Bardhë Garrett Marquis tha se administrata nuk e ka marrë në konsideratë propozimin e Moskës për mbajtjen e një referendumi në Ukrainën lindore.

Marrëveshjet e Minskut janë procesi për zgjidhjen e konfliktit në Donbas dhe këto marrëveshje nuk përfshijnë ndonjë mundësi për referendum. Për më tepër, organizimi i një të ashtuquajturi referendum, në një pjesë të Ukrainës që nuk është nën kontrollin e qeverisë, nuk do të kishte legjitimitet“, tha Garrett Marquis.

Komemente vijnë pasi të premten ambasadori rus në Uashington tha se Presidenti rus Vladimir Putin i kishte bërë një ofertë konkrete për Ukrainën homologut të tij amerikan Donald Trump.

Ky problem është diskutuar dhe janë bërë propozime konkrete për mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje“, tha Anatoli Antonov, duke iu referuar konfliktit katër-vjeçar.

Zoti Antonov foli pasi kompania mediatike Bloomberg njoftoi të enjten se në takimin e nivelit të lartë të Helsinkit zoti Putin kishte bëri thirrje për mbajtjen e një referendumi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në rajonet e shkëputura të Ukrainës ato të Donetskut dhe Luganskut (pjesë e rajonit të Donbasit) , të cilat kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.

Duke cituar zyrtarët që morën pjesë në takimet e mbyllura të zotit Putin me diplomatë rusë të enjten, Bloomberg raportoi se zoti Trump i kishte kërkuar presidentit rus të mos e publikonte idenë e referendumit pas samitit të së hënës, për t’i dhënë kohë udhëheqësit amerikan ta vlerësonte atë.

Megjithatë zoti Antonov mohoi që zoti Putin të kishte bërë ndonjë marrëveshje sekrete me zotin Trump në samitin që ka krijuar një stuhi politike në Shtetet e Bashkuara.

Coats: Kërcënimi i Rusisë ndaj SHBA vazhdon

Drejtori i Zbulimit Kombëtar amerikan, Dan Coats tha se kërcënimi i Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara vazhdon dhe se duhet të ndërmerren masa për të parandaluar një ndërhyrje ruse në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin.

Duke folur në Kolorado, zoti Coats tha se është e pamohueshme që rusët qëndrojnë në krye të sulmeve kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara si dhe të përpjekjeve për të përçarë SHBA nga aleatët, duke minuar vlerat bazë të vendit.

Ai tha gjithashtu se nuk ka dyshim që presidenti rus Vladimir Putin është drejtpërdrejt përgjegjës për këto veprime.

Zoti Coats pranoi se ishte befasuar nga lajmi se zoti Putin ishte ftuar të vizitonte Shtëpinë e Bardhë.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar tha se agjencitë amerikane të inteligjencës do të shohin se çfarë rreziqesh të mundshme do të paraqiste një vizitë e tillë dhe do t’ia ofronte informacionin presidentit Trump.

Pompeo: Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë perëndimore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se beson që Rusia do të përpiqet t’i minojë demokracitë në gjithë botën në të ardhmen e afërt.

“Është përgjegjësia jonë si udhëheqës të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të bëjmë gjithçka të mundur për ta penguar ndërhyrjen e saj, jo vetëm në zgjedhjet tona, por edhe më gjerë”, tha Pompeo në një intervistë për Fox News.

Komentet e tij vijnë pak ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, takoi presidentin rus, Vladimir Putin, në Helsinki.

Trump shkaktoi zemërim në Uashington pasi në konferencën e përbashkët për media me Putinin, ai refuzoi të mbështesë vlerësimin e agjencive amerikane të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump më pas tha se është keqinterpretuar.

“Presidenti e di se çfarë ka bërë Rusia në zgjedhjet tona më 2016 dhe ai ka kërkuar nga secili prej nesh që të sigurohemi se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sërish në zgjedhjet e vitit 2018 apo 2020, këtu në SHBA”, tha Pompeo, i cili ka shërbyer si drejtor i CIA-s përpara se të dilte në postin aktual, disa muaj më parë.

Trumpi thotë se mirëpret një takim të dytë me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi samitin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, si “sukses të madh” dhe tha se e mirëpret “takimin e dytë” me të, për të zbatuar disa nga idetë e diskutuara në Helsinki.

Trump, me disa postime në Twitter, kritikoi edhe shtypin për mbulimin e perceptuar negativ të takimit të tij me liderin rus.

“Samiti me Rusinë ka qenë sukses i madh, përveç armikut të vërtetë të njerëzve: lajmeve të rreme”.

“E mirëpres takimin tonë të dytë, në mënyrë që të nisim zbatimin e shumë gjërave të diskutuara, përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, çështjen bërthamore”, tha Trump, duke përmendur edhe “sulmet kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme e të tjera”.

“Ka shumë përgjigje, disa të lehta, disa të vështira, për këto probleme, por të gjitha mund të zgjidhen”, tha presidenti amerikan.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë me deklarata zyrtare për takimin e dytë të mundshëm të Trumpit me Putinin.

Dy liderët janë takuar më 16 korrik në Helsinki të Finlandës.

Trump është përballur me kritika të fuqishme nga ligjvënësit amerikanë, pas paraqitjes së tij në konferencën për media me Putinin, ku ka refuzuar ta fajësojë liderin rus për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump më vonë ka thënë se është keqinterpretuar.

DASH, kundër marrjes së amerikanëve në pyetje nga Rusia

Departamenti i Shtetit ka denoncuar kërkesën e Rusisë për të marrë në pyetje disa shtetas amerikanë në këmbim të lejimit të një hetuesi amerikan që të marrë në pyetje 12 zyrtarë rusë të paditur nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen e tyre në zgjedhjet amerikane.

Njëri nga amerikanët që Kremlini dëshiron ta marrë në pyetje është ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi. Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se presidenti amerikan nuk ka përjashtuar mundësinë e lejimit të zyrtarëve rusë për të marrë në pyetje amerikanët.

Gjatë samitit të Helsinkit mes Presidentit të amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, udhëheqësi rus ofroi një marrëveshje. Ai tha se Prokurori i Posaçëm amerikan Robert Mueller mund të vijë në Rusi dhe të hetojë 12 rusët e paditur nëse Kremlini mund të marrë në pyetje 11 amerikanë që dyshohet se kanë bërë veprime të paligjshme në Rusi.

Synimi kryesor i Moskës është investitori me qendër në Londër, Bill Browder, i cili i ka prishur marrëdhëniet me Kremlinin. Vladimir Putin pretendon se bashkëpunëtorët e zotit Browder kanë realizuar fitime të mëdha në Rusi pa paguar taksa dhe se disa nga paratë janë transferuar jashtë vendit me ndihmën e oficerëve amerikanë të zbulimit.

Departamenti i Shtetit të mërkurën hodhi poshtë pohimet e Rusisë, duke i quajtur ato “absolutisht absurde”.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të punojnë me Departamentin amerikan të Drejtësisë për të ndjekur ata në Rusi të cilët në fakt kanë kryer skemën mashtruese të cilës i referohet Rusia dhe që kishte në shënjestër jo vetëm zotin Browder, por edhe kompaninë e tij dhe të tjerët, si dhe popullin rus në përgithësi”, tha Heather Nauert, Zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.

Por Shtëpia e Bardhë nuk e ka hedhur poshtë ofertën e Putinit.

“Ka patur disa biseda për këtë, por Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmarrë asnjë angazhim. Presidenti do të punojë me ekipin e tij dhe ne do t’ju njoftojmë nëse do të ketë ndonjë zhvillim mbi këtë çështje”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Prokurorët rusë duan të marrin në pyetje disa ligjvënës amerikanë, oficerë të sigurisë dhe diplomatë, duke përfshirë ish-ambasadorin e amerikan në Rusi Michael McFaul. Zoti McFaul i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë të dënojë në mënyrë kategorike atë që ai e quajti “kërkesë qesharake nga Putini”. Por edhe para samitit të Helsinkit, McFaul shprehu shqetësimin rreth qëndrimit të Presidentit Trump ndaj Rusisë.

“Frika ime më e madhe është se Presidenti Trump do të jetë shumë miqësor dhe lavdërues me Vlaidmir Putinin”, tha ish ambasadori amerikan në Ukrainë.

Trump të mërkurën i hodhi poshtë këto kritika.

“Asnjë president nuk ka qenë më i ashpër se sa unë kundër Rusisë. Ju duhet të shikoni se çfarë kemi bërë, shikoni sanksionet, shikoni ambasadorët që ne kemi tërhequr”, tha Presidenti Trump.

Në një zhvillim tjetër, një grua që dyshohet se është agjente e Rusisë është arrestuar në Shtetet e Bashkuara. Ministria e jashtme ruse thotë se arrestimi i së dielës ishte një përpjekje për të minuar suksesin e samitit Trump-Putin para se ai të ndodhte.

Shefi i FBI-së: Rusia vazhdon të nxisë përçarje në SHBA

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se Rusia vazhdon të përdorë lajmet e rreme, propagandën dhe operacionet fshehta për të nxitur mosmarrëveshje në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur në punimet e Forumit për Siguri në Kolorado më 18 korrik, Wray ka qëndruar mbrapa përfundimeve të agjencive amerikane të inteligjencës se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe ka kundërshtuar pretendimet e presidentit rus, Vladimir Putin se Rusia nuk ka qenë e përfshirë.

“Ai ka pikëpamjen e tij. Unë po ju tregoj qëndrim tim”, ka thënë Wray.

“Pikëpamjet e komunitetit të inteligjencës nuk kanë ndryshuar. Qasja ime nuk ka ndryshuar”.

Wray po ashtu ka hedhur poshtë ofertën e Putinit për të krijuar qasje në 12 zyrtarët ushtarakë të inteligjecës ruse, të cilët janë paditur nga autoritetet amerikane për ndërhyrje në zgjedhje, në këmbim të intervistimit të disa qytetarëve amerikanë që Rusia i ka akuzuar për krime të paspecifikuara.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se është duke konsideruar ofertën, mirëpo Wray e ka hedhur poshtë të njëjtën.

Deklaratat e shefit të FBI-së kanë ardhur pas konfuzionit në Uashington rreth asaj nëse presidenti amerikan, Donald Trump pranon përfundimet e agjencive amerikane të inteligjencës dhe nëse ai beson se Moska është duke synuar ende të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane dhe të kërcënojë infrastrukturën kombëtare.

Shtëpia e Bardhë: Trumpi ende beson se Rusia përbën rrezik

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders

Shtëpia e Bardhë ka insistuar se beson që Rusia vazhdon të përbëjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara, në mesin e konfuzionit që është krijuar pas komenteve të presidentit amerikan, Donald Trump.

Trump fillimisht duket të mos jetë pajtuar me agjencitë amerikane të inteligjencës kur është përgjigjur “jo” në pyetjen nëse Rusia vazhdon të shënjestrojë zgjedhjet amerikane.

Më vonë Sekretarja për Media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se Trump është përgjigjur me “jo” kur i janë kërkuar më shumë pyetje.

Në ditët e fundit lideri amerikan është përballur me kritika rreth komenteve të tij të fundit për Rusinë.

“Presidenti dhe administrata e tij janë duke punuar vazhdimsht për t’u siguruar që Rusia të mos ndërhyjë në zgjedhjet tona, ashtu siç kanë bërë në të kaluarën”, ka thënë Sanders në një konferencë për media.

Të martën, Trump ka thënë se është keqkuptuar gjatë samitit të së hënës me homologun e tij rus, Vladimir Putin, kur ka mohuar ndërhyrjen ruse.

Samiti i së hënës në Helsinki ka shënuar takimin e parë mes liderit të SHBA-së dhe atij të Rusisë nga viti 2010.

Trump: Nuk besoj se Rusia po vazhdon sulmet kibernetike ndaj SHBA

Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të mërkurën se ai nuk beson se Rusia po vazhdon të verë në shënjestër Shtetet e Bashkuara me sulme kibernetike, koment që bie ndesh drejtpërdrejt me një vlerësim të bërë javën e kaluar nga Dan Coats, drejtori i zbulimit kombëtar amerikan.

Presidenti Trump, gjatë një takimi me kabinetin e tij në Shtëpinë e Bardhë, tundi kokën dhe tha “jo” kur u pyet nëse Rusia ende po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet amerikane.

Coats tha javën e kaluar në një institut studimor të Uashingtonit se “Infrastruktura digjitale që i shërben vendit është nën sulm të drejtpërdrejtë”, dhe veçoi pa mëdyshje Rusinë si “aktorin e huaj më agresiv”.

Senatori republikan Lindsey Graham citoi hendekun e gjerë midis pikëpamjeve të Presidentit Trump dhe zotit Coats mbi Rusinë, duke thënë: “Një mospërputhje e madhe midis deklaratës së Presidentit Trump dhe paralajmërimit të Coats. Është e domosdoshme t’i shkojmë deri në fund asaj që po ndodh, për të mbrojtur veten përpara zgjedhjeve të vitit 2018. Pikëpamja ime personale: rusët po e bëjnë përsëri.”

Presidenti Trump u tha gazetarëve: “Punët me Rusinë po shkojnë shumë mirë, ndoshta më mirë se në kohën e çdo presidenti tjetër; Asnjë president nuk ka qenë aq i fortë sa unë me Rusinë”.

Më parë, në një varg komentesh në Twitter, zoti Trump komentoi përsëri për samitin e tij të me Presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se kritikët e tij vuanin nga “sindroma anti-Trump”.

“Disa njerëz e urrejnë faktin që unë kalova mirë me Presidentin Putin,” shkruante në Twitter. “Për ata është mirë të hapnim një luftë sesa të shihnin këtë.”

“Shumë njerëz me inteligjencë e pëlqyen performancën time në konferencën për shtyp në Helsinki,” tha zoti Trump. “Putin dhe unë diskutuam shumë tema të rëndësishme në takimin tonë të mëparshëm. Ne shkuam mirë, gjë që me të vërtetë shqetësoi shumë urryesit, të cilët donin të shihnin një ndeshje boksi.”

Komentet e presidentit në Twitter erdhën disa orë pasi ai deklaroi se e pranonte përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Rusia ndërhyu në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke marrë mbrapsht komentet e tij të së hënës, ku mbështeste mohimin e zotit Putin për ndërhyrjen e Moskës.

Zoti Trump tha se pasi shqyrtoi një transkript të komenteve të tij në Helsinki, e kuptoi se kishte folur gabim.

Por ai shtoi se veprimet ruse nuk patën ndikim në rezultatin e fitores së tij ndaj demokrates Hillary Clinton dhe përsëriti deklaratën e tij të shpeshtë duke mohuar se ka pasur ndonjë bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së tij dhe operativëve rusë. Prokurori i posaçëm i SHBA, Robert Mueller, vazhdon hetimin e tij 14-mujor për ndërhyrjen ruse.

Presidenti Trump tha gjithashtu se administrata e tij do të bëjë gjithçka mundet për të penguar përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e nëntorit në Kongres.

“Ne do ta ndalojmë këtë,” u zotua Presidenti.

REAGIME NË KONGRES

Mbrojtja që Presidenti Trump i bëri samititt të Helsinkit me Presidentin rus Vladimir Putin, nuk e ka shuar aspak zemërimin në Kongres, ku ligjvënësit kërkuan të mërkurën përgjigje nga administrata dhe bënë thirrje për miratimin e ligjeve që ndëshkojnë Moskën.

“Amerikanët dhe anëtarët e këtij komisioni meritojnë të dinë se për çfarë po bie dakord presidenti me autokratët e huaj pas dyerve të mbyllura,” tha demokrati kryesor në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Menendez i Nju Xhersit.

Menendez shprehu habi për deklaratat e Rusisë që sinjalizonin gatishmëri për të nisur punën për marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë, për të cilat presidentët Trump dhe Putin thuhet se kanë rënë dakord gjatë takimit të tyre.

“Mediat pro-Kremlinit në këtë moment po shpërndajnë më shumë informacione … sesa ato që di unë si demokrati më i lartë në këtë komision, sesa di çdo anëtar tjetër i komisionit dhe sesa dinë amerikanët”, tha senatori.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pritet të dëshmojë përpara komisionit javën e ardhshme. Kreu i komisionit, republikani Bob Corker, tha se nuk janë vetëm demokratët që kërkojnë përgjigje.

Rusja e arrestuar akuzohet për lidhje me agjentët e Moskës

Një aktiviste ruse 29-vjeçare për të drejtën e armëmbajtjes, e dyshuar si agjente e fshehtë e Moskës mund të ketë qenë në kontakt me operativët e Kremlinit ndërsa jetonte në Shtetet e Bashkuara, thanë prokurorët të mërkurën në dokumentet e paraqitura në gjykatë, ku ajo akuzohet gjithashtu se ka përdorur seksin dhe mashtrimin për të krijuar lidhje në qarqe me influencë.

Maria Butina, është vëzhguar nga FBI-ja duke ngrënë privatisht me një diplomat rus, i dyshuar si operativ i zbulimit në javët e para se ai të largohej nga SHBA, marsin e kaluar, thanë prokurorët. Ajo gjithashtu kishte informacione kontakti për njerëz që hetuesit besojnë se ishin punonjës të Shërbimit Federal rus të Sigurisë, pasuese e KGB-së.

Faktet e paraqitura nga prokurorët, që synonin ta bindnin gjykatësin për ta mbajtur Butinën në paraburgim, u shtohen pohimeve të Departamentit të Drejtësisë, sipas të cilit ajo punonte fshehurazi për të vendosur linja komunikimi të fshehtë me Kremlin dhe për të depërtuar në organizata politike amerikane, duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Armëve si dhe të mblidhte informacione që ia raportonte një zyrtari të lartë rus.

Prokurorët pohuan gjithashtu se ajo kishte një marrëdhënie personale me një operativ politik amerikan dhe i kishte ofruar seks një personi tjetër në këmbim të një posti brenda një grup interesi.

Dokumentet e gjykatës nuk përmendin individët ose grupin e interesit.

Butina pret të dalë në gjyq nën akuzat për komplot dhe për veprimtari si agjente e huaj për Rusinë e paregjistruar pranë autoriteteve amerikane. Një gjykatës urdhëroi të mërkurën që Butina të mbahet në burg, ndërkohë që çështja vazhdon të trajtohet në sistemin gjyqësor.

Duke përmendur lidhjet e saj të zbulimit, prokurorët argumentojnë se Butina përbën një rrezik “ekstrem” për largim nga SHBA, ku ajo jeton me një vizë studenteje.

Avokati i saj i ka quajtur dyshimet rreth saj të ekzagjeruara dhe ka mohuar se Butina është agjente ruse.

Butina u arrestua gjatë fundjavës pas shenjave se planifikonte të largohej nga zona dhe ndoshta nga vendi.

Trump, detyrim për të mbrojtur Malin e Zi?

Presidenti amerikan Donald Trump duket se e vuri në dyshim detyrimin e SHBA për të mbrojtur Malin e Zi në kuadrin e NATO-s.

“Mali i Zi, – tha ai – ka njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime, jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore”.

Presidenti i bëri komentet gjatë një interviste me komentatorin Tucker Carlson të rrjetit Fox News, pasi u pyet se përse duhet që ushtarët amerikanë të shkojnë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë vend nga një sulm i mundshëm.

Presidenti Trump i ka kritikuar shpesh anëtarët e tjerë të NATO-s rreth kontributit të tyre financiar për aleancën, duke thënë se SHBA mbajnë pjesën më të madhe të barrës.

NATO-ja, e themeluar në vitin 1949 për të frenuar kërcënimin ushtarak të Bashkimit Sovjetik, mbështetet në epërsinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara për t’u përballur me një mori kërcënimesh në kufijtë e Evropës, duke përfshirë Rusinë.

Angazhimi për mbrojtje reciproke është shtylla e aleancës së NATO-s.

Biseda Carlson-Trump në Fox News.

CARLSON: Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur atë nga sulmi? Përse të jetë kështu?

TRUMP: E kuptoj çfarë po thoni. Unë kam shtruar të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë.

CARLSON: Po. Unë nuk jam kundër Malit të Zi, ose Shqipërisë.

TRUMP: Jo, por meqë ra fjala, ata janë njerëz shumë të fortë. Ata kanë njerëz shumë agresivë. Ata mund të bëhen agresivë dhe… urime jemi pastaj në Luftën e Tretë Botërore. Unë e kuptoj këtë, por kështu janë ndërtuar gjërat.

Samiti i Helsinkit dhe çështja Browder

Nga të gjitha pyetjet e ngritura për Presidentin Donald Trump dhe Presidentin rus Vladimir Putin pas takimit të tyre në Helsinki, asnjë nuk përmendi financierin britanik të lindur në Shtetet e Bashkuara, Bill Browder.

Por presidenti Putin e veçoi atë gjithsesi duke sugjeruar se do t’i jepte Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller qasje tek 12 rusët e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, nëse hetuesit rusë mund të merrnin në pyetje mashtruesit me taksat.

“Për shembull, bashkëpunëtorët e biznesit të zotit Browder kanë fituar mbi 1.5 miliardë dollarë në Rusi, dhe nuk kanë paguar asnjë taksë, as në Rusi, as në Shtetet e Bashkuara, por paratë e tyre kanë ikur nga vendi”, tha zoti Putin, duke përsëritur akuzat që janë konsideruar prej kohësh si të pabazuara.

Browder, Drejtor Ekzekutiv i kompanisë Hermitage Capital, ka qenë forca lëvizëse prapa Aktit Magnitsky, një ligj amerikan i vitit 2012 që autorizon sanksione kundër abuzuesve të të drejtave të njeriut në Rusi, që ngrin pasuritë e tyre dhe ndalon hyrjen e tyre në Shtetet e Bashkuara.

I titulluar pas avokatit të zotit Browder, Sergei Magnitsky, i cili vdiq mes akuzave për rrahje dhe neglizhim mjekësor në një burg rus pas punës së tij për të ekspozuar një skemë të mashtrimit të taksave nga zyrtarët rusë, ky ligj amerikan, që është miratuar më vonë edhe në shtatë vende të tjera, mund të jetë kërcënimi më i madh për pasuritë e mëdha personale të liderit rus.

Qeveria ruse, e cila ka mohuar akuzat për mashtrim dhe zyrtarisht ia atribuoi vdekjen e Magnitskyit një goditjeje në zemër, ka vazhduar ta ndjekë Browderin, së fundmi duke kërkuar që ai të ndalohej ndërsa ishte në Spanjë. (( www.voanews.com/a/putin-critic-browder-detained-released-by-spanish-police/4415846.html ))

Vetëm pas mbërritjes së tij në një stacion policor, autoritetet zbuluan se urdhri i Interpolit ndaj zotit Browder kishte skaduar.

Browder i tha Shërbimit rus të Zërit të Amerikës se fakti që udhëheqësi rus përsëri e përmendi atë me emër në një forum publik të profilit të lartë, provon se sanksionet perëndimore po ndihen në Moskë.

((http://old.themoscowtimes.com/sitemap/free/2006/7/article/putin-has-no-answers-in-browder-visa-case/203711.html ))

“Mendoj se Putin po e merr personalisht çështjen për shkak të gjithë suksesit që kam pasur në miratimin e aktit Magnitsky kudo në botë,” tha Browder. “Ai nuk e fshehu faktin se shfuqizimi i Aktit Magnitsky është prioriteti i tij i vetëm më i madh i politikës së jashtme. Ai duket qartë se është shumë i tronditur dhe i mërzitur nga të gjithë njerëzit e ndryshëm që janë sanksionuar sipas këtij akti dhe programeve të tjera të sanksioneve, dhe kjo përbën thembrën e tij të Akilit “.

Browder i ka thënë Zërit të Amerikës në intervista të mëparshme se një nga arsyet kryesore përse Putini e urren Aktin Magnitsky, është se ai u kërkon njerëzve përreth tij të kryejnë krime shumë të rënda në emër të tij, siç janë sekuestrimi i pasurive dhe pronave private në mënyrë të paligjshme.

Trump: Takimi me Putinin “madje ishte më i mirë” se samiti i NATO-s

Në një prej mesazheve në rrjetin social presidenti i SHBA-ve theksoi se NATO para samitit ka qenë e dobët

WASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump theksoi se takimi që pati me presidentin e Rusisë Vladimir Putin ka qenë “madje më i mirë” se takimi me aleatët transatlantikë në samitin e mbajtur para do kohe të NATO-s në Bruksel.

“Ndonëse kisha takim të shkëlqyeshëm me NATO-n, ku mblodha sasi të mëdha të parave, mbajta takim madje edhe më të mirë me presidentin rus Valdimir Putin”, shkroi Trump në profilin e tij në Twitter.

Në një prej mesazheve në rrjetin social presidenti i SHBA-ve theksoi se NATO para samitit ka qenë e dobët.

“NATO ishte e dobët, por tani sërish është e fortë (keq për Rusinë)”, shkroi Trump.

Trump dhe Putin dje u takuan në Helsinki të Finlandës, ndërsa pas samitit iu adresuan gazetarëve duke theksuar se ekziston dëshirë dhe gatishmëri e dyanshme për vendosjen e dialogut afatgjatë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti i SHBA-ve po ashtu më 11 dhe 12 korrik ishte i pranishëm në samitin e NATO-s në Bruksel, pas të cilit porositi se aleanca është shumë më e fuqishme se para takimit.

Trump në konferencën për media të mbajtur pas takimit të jashtëzakonshëm të ditës së fundit të samitit deklaroi se aleatët, në raport me vitin e kaluar, në masë të konsiderueshme kanë ndarë për shpenzimet e mbrojtjes.

Ai shtoi se rritja ka ndodhur pasi ai erdhi në funksion. Ai tha se aleatët vetëm vitin e kaluar siguruan 33 miliardë dollarë dhe konsideron se kjo së shpejti do të rritet në 40 miliardë.

I pyetur për mundësinë e tërheqjes së SHBA-ve nga NATO nëse rritja e mjeteve për shpenzime nuk mjafton, dhe nëse atë mund ta bëjë pa aprovimin e Senatit amerikan, Trump tha se supozon se atë mund ta bëjë, por se nuk ka nevojë për një të tillë. aa

Obama: Bota po kalon kohë të çuditshme e të pasigurta

Ish-presidenti Obama në Johanesburg

Ish-presidenti amerikan Barak Obama shprehet se bota po përjeton “kohë të çuditshme dhe të pasigurta”. Në një fjalim me komente që u panë si goditje ndaj politikave të pasuesit të tij, Donald Trump, zoti Obama paralajmëron për përhapjen e “politikave të frikës dhe urrejtjes” të ushqyera nga udhëheqës që nuk përfillin faktet me një “paturpësi të plotë”.

Ish-presidenti amerikan Barak Obama i bëri komentet në një fjalim të martën në Johanesburg, ku po nderonte simbolin e luftës për drejtësi, Nelson Mandela. Pa përmendur me emër Presidentin Donald Trump, zoti Obama sulmoi një numër prirjesh që ka ndjekur administrata aktuale. Ai kritikoi qëndrimet që mohojnë ndryshimet klimatike, politikat e emigracionit të bazuara në dallime racore, rendjen e shfrenuar pas fitimeve kapitaliste dhe “qeverisjen me dorë të fortë” – të gjitha shembuj të politikave që ka ndjekur administrata Trump.

Të gjitha këto politika, tha zoti Obama, gjenerojnë “tituj shqetësues e marramendës lajmesh. Prandaj e mendova me vend të ofroj një perspektivë tjetër”.

“Është pjesërisht rezultat i dështimeve të qeverisjes dhe të elitave të fuqishme që tani bota është në rrezik të rikthehet tek një rend i vjetër, më i rrezikshëm, një mënyrë biznesi më e pamëshirshme”.

Lidhur me imigracionin, ai bëri një kritikë më të drejtëpërdrejtë ndaj politikave të administratës aktuale: “Nuk është gabim të këmbëngulësh se duhen respektuar kufijtë shtetërorë, por ky argument nuk mund të përdoret si justifikim për politika imigracioni që bazohen tek dallimet racore, etnike dhe fetare”.

Ai kritikoi skeptikët që hedhin dyshime për ndryshimet klimatike, një qëndrim që është përqafuar nga administrata Trump dhe konservatorë në SHBA, me gjithë faktet shkencore që mbështesin ekzistencën e problemit.

“Duhet t’u besojmë fakteve; pa fakte nuk ka baza për bashkëpunim,” tha zoti Obama.

Turma e mbledhur për të dëgjuar ish-presidentin reagoi me të qeshura, kur zoti Obama tha: “Sot politika duket se nuk do t’ia dijë as për të vërtetën objektive, njerëzit sajojnë gjëra vetë”.

Zoti Obama goditi “udhëheqësit politikë, të cilëve u ka dalë plotësisht turpi. Ata kapen duke gënjyer dhe për t’u justifikuar dhe mbuluar veten, thonë gënjeshtra të tjera”.

Ish-presidenti Obama foli para një turme me më shumë se 10 mijë vetë të mbledhur në një stadium kriketi në Johanesburg në një aktivitet për të festuar 100 vjetorin e lindjes së Nelson Mandelës. Zoti Obama e ka përmendur disa herë shembullin e Mandelës si një ndër frymëzimet më të mëdha të jetës së tij.

Trumpi i shmang kritikat ndaj Putinit për zgjedhjet

Presidenti Donald Trump, deklaroi në krah të udhëheqësit rus Vladimir Putin, se nuk shihte ndonjë arsye për të besuar se Moska ndërhyri në zgjedhjet, të cilat e bënë atë president të SHBA në vitin 2016.

Të gjitha agjencitë kryesore të zbulimit amerikan kanë arritiur në përfundimin se ka pasur një ndërhyrje të tillë nga Rusia gjatë zgjedhjeve dhe kjo çështje është fokusi i një hetimi të madh federal që ka vënë në shënjestër jo vetëm rusët, por edhe anëtarë të stafit të fushatës zgjedhore të zotit Trump.

“Presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fortë dhe i fuqishëm në mohimin e tij sot,” tha Presidenti Trump duke folur rreth kësaj çështjeje.

Nga ana e tij, zoti Putin tha se i kishte deklaruar Presidentit Trump gjatë bisedimeve të tyre se “shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk planifikon të ndërhyjë në procesin e brendshëm të zgjedhjeve amerikane”.

Zoti Trump u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në pallatin presidencial të Finlandës se ai e kaloi një “kohë të gjatë” në bisedime duke trajtuar çështjen e ndërhyrjes ruse.

Presidenti amerikan tha se nuk e kritikoi drejtpërdrejt homologun e tij rus lidhur me këtë çështje apo ndonjë tjetër, për të cilën Uashingtoni dhe Moska kanë dallime të mëdha.

Politikanët amerikanë, në të dy anët e spektrit politik, si dhe ish-zyrtarë amerikanë të zbulimit dhe diplomatë filluan t’i kritikojnë ashpër komentet e zotit Trump, edhe para se presidenti të hipte në avion për t’u kthyer në SHBA.

Udhëheqësit, optimistë

Të dy udhëheqësit i karakterizuan bisedimet mes tyre si të mira.

“Pritshmëritë tona janë të bazuara në realizëm, por shpresat tona janë të bazuara në dëshirën e Amerikës për miqësi, bashkëpunim dhe paqe”, tha Presidenti Trump. “Dhe unë mendoj se mund të flas edhe në emër të Rusisë, kur e them këtë.”

Të dy presidentët kaluan më shumë se dy orë duke folur ballë për ballë në prani të vetëm përkthyesve. Ky diskutim u pasua nga bisedime më të gjera me praninë e ndihmësve.

“Marrëdhënia jonë kurrë nuk ka qenë më e keqe se sa është tani, megjithatë, kjo ndryshoi që nga rreth katër orë më parë,” deklaroi presidenti i SHBA në konferencën e shtypit.

Hetimi vazhdon

Takimi i së hënës erdhi tre ditë pasi prokurori i posaçëm Robert Mueller paditi 12 oficerë të inteligjencës ruse, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në zgjedhje për të ndihmuar zotin Trump të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Të hënën, Presidenti Putin në konferencën e shtypit, ftoi hetuesit e zotit Mueller për të vizituar Rusinë.

Udhëheqësi rus sugjeroi gjithashtu që zoti Mueller t’u dërgonte një kërkesë autoriteteve ruse lidhur me personatg e akuzuar në SHBA.

“Organet tona ligjzbatuese janë plotësisht të aftë ta bëjnë marrjen në pyetje dhe të dërgojnë materialet e duhura në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Putin.

Rusia nuk ka traktat ekstradimi me Shtetet e Bashkuara, prandaj nuk ka gjasa që t’i dorëzojë të dyshuarit në Shtetet e Bashkuara për t’u gjykuar.

Paditë e reja bënë që një numër senatorësh amerikanë, mes tyre edhe një republikan, të kërkonin që zoti Trump të anulonte samitin e tij me Presidentin Putin.

Në konferencën e shtypit zoti Putin u pyet nëse qeveria e tij kishte informacion kompromentues mbi Presidentin e SHBA, një referencë për të ashtuquajturën “Dosje Steele” që përmban informacione të paprovuara për njërën nga vizitat e zotit Trump në Moskë kur ishte biznesmen.

“Kam qenë vetë oficer i shërbimit të fshehtë, dhe e di se si bëhen dosjet,” u përgjigj zoti Putin. Ai shtoi se është “marrëzi e plotë” të imagjinohet se Rusia përpiqet të mbledhë materiale komprometuese për çdo figurë të rëndësishme amerikane të biznesit që viziton vendin.

Gjatë javës së tij në Evropë, zoti Trump i sfidoi aleatët tradicionale të SHBA në çdo hap – duke filluar nga një samit i NATO-s në Bruksel, ku ai kritikoi krerët europianë se nuk shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Ai e vuri veten në mes të një polemike të brendshme politike në Londër, ku i tha një gazete se kryeministrja Theresa May kishte injoruar këshillat e tij rreth asaj se si duhej bërë dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian.’

Ai gjithashtu deklaroi se Boris Johnson, i cili ishte larguar nga kabineti i zonjës May si ministër i jashtëm për mosmarrëveshjet rreth planit të saj për çështjen Brexit, “do të ishte një kryeministër i shkëlqyer”.

Arrestohet një grua në Washington e akuzuar si agjente ruse

Një ndihmëse e një zyrtari të lartë qeveritar rus nën sanksionet amerikane, u akuzua të hënën për komplot për t’u infiltruar në organizatat amerikane, si pjesë e operacioneve të ndikimit të Moskës në Shtetet e Bashkuara.

Maria Butina, 29 vjeçe, u arrestua të dielën nën akuzat për komplot për të vepruar si agjente e qeverisë ruse në Shtetet e Bashkuara, pa njoftuar prokurorin e përgjithshëm. Butina u paraqit para një gjykatësi federal në Gjykatën e Qarkut në qarkun e Columbias, në pritje të një seance dëgjimore të mërkurën.

Sipas një dëshmie të FBI-së, në periudhën ndërmjet viteve 2015 dhe 2017, Maria Butina punoi si ndihmëse e një zyrtari të lartë të Bankës Qendrore Ruse, që më parë shërbeu në legjislaturën e vendit. Në dëshmi nuk identifikohet zyrtari rus, por thuhet se ai u vu nën sanksionet e Departamentit amerikan të thesarit në muajin prill.

Në muajin prill Departamenti amerikan i thesarit, shpalli sanksionet kundër 17 zyrtarëve të lartë qeveritar rusë, përfshirë Alexander Torshin, zëvendës guvernator i Bankës Qendrore ruse.

Maria Butina akuzohet se derisa paraqitej si studente në Shtetet e Bashkuara, punoi nën drejtimin e Torshinit për të avancuar interesat ruse në Shtetet e Bashkuara. Si pjesë e përpjekjeve të saj, ajo ndërveproi me dy qytetarë amerikanë të paidentifikuar, për të organizuar takime dhe darka me amerikanë me ndikim.

Butina u takua me amerikanin e parë në Moskë në vitin 2013. Amerikani punoi me Butinën “për të organizuar së bashku prezantime me amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë një organizatë që promovon të drejtën për mbajtjen e armëve … me qëllim të avancimit të agjendës së Federatës Ruse”, thuhet në dëshminë e FBI-së.

Shtetasi i dytë i paidentifikuar amerikan u përfshi në një seri komunikimesh nëpërmjet postës elektronike në vitet 2016 dhe 2017, që tregojnë përpjekjet e Butinës që “të organizojë një seri darkash në distriktin e Columbias dhe në New York, duke përfshirë shtetas rusë dhe amerikanë që kanë ndikim në politikën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në dëshmi.

Dëshmia e përshkruan Rusinë si një nga “kërcënimet kryesore të shërbimeve shtetërore të zbulimit ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara, bazuar në aftësitë, qëllimin dhe hapësirën e gjerë operacionale”.

Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në vitin 2016 në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të hënën në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin rus, Vladimir Putin, se ndërsa ai kishte besim në agjencitë e zbulimit të Shteteve të Bashkuara, i beson mohimit të Putinit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane.

Trumpi mbledh mbi 88 milionë dollarë për fushatën për rizgjedhje

Fushata për rizgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump, ka mbledhur mbi 88 milionë dollarë në 12 muajt e kaluar, bëri të ditur Komisioni Federal i Zgjedhjeve në SHBA.

Shuma i jep atij një epërsi të madhe përballë sfiduesve eventualë në zgjedhjet e vitit 2020, raporton BBC.

Trump ka paraqitur kërkesën për rikandidim shumë shpejt pasi ka bërë betimin për mandatin e parë, në janar të vitit të kaluar.

Shuma e parave është mbledhur nga komiteti i fushatës i Trumpit, si dhe nga dy grupe të lidhura me Partinë Republikane: “Trump Victory” dhe “Trump Make America Great Again”, raportoi New York Times.

Takimi Trump-Putin, reagojnë ligjvënësit amerikanë

Një numër figurash politike në Shtetet e Bashkuara reaguan pas komenteve të Presidentit Donald Trump në Helsinki, i cili nuk mbajti anën e agjencive amerikane të zbulimit, që kanë arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në konferencën e përbashkët të shtypit me udhëheqësin rus Vladimir Putin pas samitit të tyre, Presidenti amerikan tha se udhëheqësi rus e kishte “mohuar me forcë” ndërhyrjen e Moskës. Ai e quajti “një fatkeqësi për vendin tonë” hetimin 14 mujor të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me rusët.

Komentet e Presidentit Trump shkaktuan reagime të menjëhershme në Shtetet e Bashkuara.

Senatori republikan Lindsey Graham, në përgjithësi një përkrahës i Presidentit Trump, tha në Twitter: “Një mundësi e humbur nga Presidenti Trump për t’i kërkuar me ngulm llogari Rusisë për ndërhyrjen në vitin 2016, dhe për t’i bërë një paralajmërim të fortë atij kundër ndërhyrjes në zgjedhjet e ardhshme. Përgjigja e Presidentit Trump do të shihet nga Rusia si një shenjë e dobësisë dhe do të krijojë më shumë probleme.”

Një tjetër senator i njohur republikan, John McCain, tha: “Konferenca e sotme e shtypit në Helsinki ishte një nga paraqitjet më të turpshme të një presidenti amerikan. Është e vështirë të matet dëmi i shkaktuar nga naiviteti i Presidentit Trump, egoizmi, ekuivalenca e rreme dhe simpatia për autokratët.”

Paul Ryan, republikan i lartë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, tha: “Nuk ka dyshim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet tona dhe vazhdon përpjekjet për të minuar demokracinë këtu dhe në mbarë botën”. Ai shtoi se “Nuk ka ekuivalencë morale mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona më themelore”.

Edhe ligjvënësit demokratë shprehën zemërimin e tyre ndaj komenteve të Presidentit Trump. Senatori Mark Warner nga Virxhinia, anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulimin, që ka rënë dakord me vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet të vitit 2016 dhe u përpoq të ndihmonte zotin Trump kundër rivales së tij demokrate Hillary Clinton, tha: “Është e turpshme që Presidenti mori anën e Putin-it për zyrtarët e tij të zbulimit dhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për sulmin e Rusisë mbi demokracinë tonë”.

Udhëheqësi i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer tha se zoti Trump i fajësoi të gjithë me përjashtim të fajtorit. Ai tha gjithashtu se Presidenti amerikan “i zuri besë fjalës së KGB-së dhe jo të CIA-s.”

Edhe senatorët e tjerë demokratë Elizabeth Warren, Tim Kaine dhe Bill Nelson kritikuan ashpër komentet e Presidentit Trump në lidhje me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. za

Nielsen: Rusia dëshiron të krijojë ndarje në mesin e amerikanëve

Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kirstjen Nielsen.

Shefja për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara thotë se zyrtarët e inteligjencës po shohin “përpjekje të vazhdueshme ruse”, për të përdorur mediat sociale dhe burime të tjera, për të krijuar ndarje në mes të popullit amerikan.

Sekretarja për Siguri Kombëtare, Kristjen Nielsen, gjatë një tubimi të sekretarëve të Shteteve të Bashkuara në Filadelfia më 14 korrik, tha se rusët po përdorin mediat sociale si “zëdhënës simpatikë dhe fronte të tjera për të nxitur mosmarrëveshje dhe përçarje në mes të popullit amerikan”.

Ajo shtoi se megjithatë, këto përpjekje nuk janë “domosdoshmërisht të përqendruara në politikanët dhe fushatat politike”.

Sekretarja Nielsen gjithashtu tha se nuk ka shenja se Rusia po synon që të ndërhyjë në zgjedhjet afatmesme të këtij viti, me të njëjtën “shkallë dhe shtrirje”, që ndërhyri në zgjedhjet presidenciale më 2016 në SHBA.

Komentet e Sekretares Nielsen erdhën vetëm një ditë pasi Juria e Madhe në SHBA akuzoi 12 oficerë të inteligjencës ruse për rolin e tyre në sulmet kibernetike në Partinë Demokrate dhe publikimin e emaileve të vjedhura dhe informacioneve të tjera gjatë fushatës presidenciale më 2016.

Të 12 të akuzuarit janë identifikuar si oficerë në drejtorinë kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Inteligjencës ruse, që njihet si GRU. Kjo drejtori është një nga agjencitë kryesore të inteligjencës në Rusi, së bashku me Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

Zyrtarët e GRU-së “në kapacitetet e tyre zytare u angazhuan në një përpjekje të vazhdueshme për të sulmuar rrjetet kompjuterike të Komitetit të fushtatës së Partisë Demokrate dhe fushatës presdienciale të kandidates Hillary Clinton”, është thënë në një deklaratë të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Paditë, që janë bërë publike nga zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, janë publikuar vetëm disa ditë përpara se presidenti Donald Trump të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin më 16 korrik në Helsinki.

I pyetur nëse do të flasë me Putinin për këto padi, Trump – i cili vazhdimisht ka minimizuar akuzat kundër Rusisë – tha: “Gjithçka që mund të bëj është të them ‘A e keni bërë?’, ‘Mos e bëni përsëri’. Por, ai (Putini) mund ta mohojë këtë gjë”, është shprehur presidenti amerikan.

Kremlini vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet në SHBA. Ministria e Jashtme ruse i ka cilësuar paditë si “një komedi e turpshme”, duke shtuar se ato kanë për qëllim që të pengojnë samitin në Helsinki.

Në komentet e saj, Sekretarja Nielsen tha se agjencia e saj do të ndihmojë zytarët në qytetet dhe shtetet e SHBA-së për të përgatitur sistemin elektoral për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike nga Rusia dhe gjetkë.

“Edhe pse votat nuk janë ndryshuar” gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016, tha ajo, “çdo përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet tona – qoftë suksesshëm apo jo – është sulm direkt në demokracinë tonë”.

Zyrtarët e disa shteteve gjatë tubimit në Filadelfi thanë se është e rëndësishme që presidenti Trump të ketë një qëndrim më të ashpër kundër Rusisë, në mënyrë që të ndihmojë që publiku të ketë besim në zgjedhjet e ardhshme.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Trumpi thotë se Putini me gjasë është “person i pamëshirshëm”

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai i SHBA-së, Donald Trump gjatë takimit të tyre në Hamburg të Gjermanisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka deklaruar se homologu i tij rus, Vladimir Putin “me gjasë është një person i pamëshirshëm”.

Këto komente Trump i ka bërë në një intervistë për Daily Mail, që është publikuar më 14 korrik. Aty Trump ka thënë se ka qëllim që të rikandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2020.

Trumpi dhe Putini janë paraparë që të takohen në një samit në Helsinki më 16 korrik.

Pasi gazetari Piers Morgan, e ka përshkruar liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un si “diktator të pamëshirshëm”, Trump është pajtuar me të dhe ka thënë se ai përballet me shumë liderë që janë “njerëz mjaft të pamëshirshëm”.

I pyetur nëse ai e konsideron Putinin si të pamëshirshëm, Trump u shpreh : “Nuk mund ta them një gjë të tillë… supozoj se ndoshta është, por unë mund t’i përmend edhe të tjerët. Nuk e njoh (Putinin), e kam takuar disa herë. E takova edhe në takimin e G20-s”.

“Besoj se ne mund t’ia kalojmë mirë”, shtoi Trump, duke iu referuar samitit të paraparë që ka me Putinin.

“Dikush tha a jeni miq apo armiq? Unë thashë, është herët për ta thënë, por tash për tash unë them se jemi kundërshtarë”, ka thënë Trump.

Trumpi kritikon administratën Obama se nuk bëri sa duhet për ndërhyrjen ruse

Presidenti Donald Trump kritikoi të shtunën administratën Obama, që nuk i është përgjigjur me ashpërsinë e duhur Rusisë në sulmet kibernetike ndaj demokratëve në fushatën e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Përgjigja e parë e zotit Trump ndaj akuzave që ngriti të premten Prokurori i Posaçëm Robert Mueller kundër zyrtarëve rusë, për ndërhyrje në politikën amerikane, erdhi përmes disa twiterave që Presidenti Trump shkroi nga rezorti i golfit në Skoci, ku ai ndodhet, dy ditë para takimit të tij në Finlandë me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Historitë që ju dëgjuat dje për 12 rusët kanë ndodhur gjatë administratës Obama, jo gjatë administratës Trump. Përse nuk u bë asgjë për këtë çështje, kur Presidenti Obama u njoftua nga agjentët e FBI-së në shtator, para zgjedhjeve?” – shkruante zoti Trump.

Në aktpadinë që u njoftua të premten për 12 zyrtarët rusë, thuhet se rusët kishin ndërhyrë në sistemet kompjuterike të fushatës presidenciale të Hillary Clintonit dhe se kishin publikuar dhjetra mijëra komunikime private, në kuadrin e një komploti më të gjerë të Kremlinit, për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, që përfundoi me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë thënë se Moska synonte të ndihmonte ardhjen në pushtet të zotit Trump dhe të minonte zonjën Clinton.

Gjatë javës së tij në Europë, i pyetur nëse do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, Presidenti Trump tha se “me siguri që kam për ta ngritur këtë çështje në takimin me zotin Putin”.

Pas komenteve të zotit Trump, disa senatorë demokratë i dërguan atij të shtunën një letër, ku i kërkonin “ta anuloni takimin me zotin Putin, në se nuk jeni i përgatitur ta bëni sulmin rus ndaj zgjedhjeve amerikane çështjen kryesore të diskutimeve”.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, u shpreh se ai ka besimin se takimi i Helsinkit “do ta fuqizojë pozicionin e Amerikës, prandaj takimi është shumë i rëndësishëm,”- tha ai.

Nuk ka nevojë për licensë pilotimi, Kalifornia prezanton makinën fluturuese

Një makinë fluturuese që nuk ka nevojë për licensë piloti për të operauar është zbuluar në Kaliforni.

BlackFly mund të udhëtojë deri në 40 kilometra në një shpejtësi prej 62 km / h. Prodhuesit e saj thonë se do të kushtojë njësoj sa një makinë tipike sportive, por modelet e para do të jenë më të shtrenjta.

Makina u zbulua të enjten dhe është financuar nga bashkëthemeluesi i Google Larry Page.

Page është gjithashtu pas Kitty Haëk, një start-up tjetër i SHBA që aktualisht po teston avionin e tij personal në Las Vegas.

Disa makina të tjera rivale fluturuese janë në zhvillim anembanë globit. Krijuesi i BlackFly është firma Opener me bazë në Palo Alto. Makina është testuar në Kanada, ku autoriteti i aviacionit të vendit ka autorizuar përdorimin e tij. Ashtu si Kitty Haëk, BlackFly ndoshta mund të përshkruhet më saktë si një droni që mban njerëz.

SHBA: Ngrihen akuza ndaj 12 agjentëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit

Një Juri e Madhe federale ngriti të premten akuza ndaj 12 oficerëve të shërbimeve ushtarake ruse të zbulimit, për depërtim në 2016-n në rrjetin kompjuterik të kandidates demokrate për presidente të SHBA-së Hillary Clinton dhe Partisë Demokratike. Lajmi u njoftua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Aktakuza, hartuar nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimit në vazhdim të zyrës së tij, për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 të fituara nga Presidenti Donald Trump, bëhet publike tri ditë përpara takimit të këtij të fundit me Presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki në 16 korrik.

Aktakuza është ngritur ndaj 12 oficerëve ushtarakë rusë të cilët përmenden me emër, për komplotim me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të 2016-s”, njoftoi në një konferencë për shtyp zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein.

Zoti Rosenstein tha se në aktakuzë nuk ka pretendime për përfshirje të qytetarëve amerikanë në krimet e pretenduara. Ai tha se ka informuar për këtë çështje presidentin Trump, më herët gjatë kësaj jave.

Në një njoftim për shtyp të Departamentit amerikan të Drejtësisë thuhej se oficerët e Agjencisë Ushtarake ruse të Zbulimit (GRU) “janë përfshirë në kapacitetet e tyre zyrtare, në një përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në rrjetet kompjuterike të fushatës së Komitetit Kombëtar Demokrat dhe fushatën presidenciale të Hillary Clinton-it, duke e publikuar informacion në internet, nën emrat DCLeaks dhe Gufficer 2.0. “.

Zoti Mueller ka ngritur aktakuza kundër disa ish-ndihmësve të fushatës së zotit Trump, përfshirë ish-kryetarin e fushatës Paul Manafort-i dhe ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn.

Në shkurt, zoti Mueller akuzoi 13 shtetas rusë dhe tre kompani ruse për përgatitjen e një komploti për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Në aktakuzë thuhej se rusët, përdorën llogari të rreme në internet për të shpërndarë mesazhe përçarëse si dhe kanë udhëtuar nëpër SHBA për të mbledhur informacione dhe organizuar tubime politike ndërsa paraqiteshin si amerikanë. Por kjo aktakuzë nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me përpjekjet për ndërhyrje të qeverisë ruse.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se Rusia ka përdorur propagandën dhe hakmarrjen për të ndërhyrë në zgjedhje, në një përpjekje për të dëmtuar zonjën Clinton dhe ndihmuar zotin Trump të fitojë. Disa orë përpara publikimit të aktakuzës, zoti Trump e cilësoi hetimin e zotit Mueller si një “gjueti shtrigash të manipuluar” që po dëmton marrëdhëniet e SHBA-së me Rusinë. za

SHBA: Gjykata Federale synon ashpërsimin e masave për bashkim të familjeve emigrante

Ilustrim.

Gjykata Federale në Shtetet e Bashkuara të premten do të konsiderojë vënien e masave më të ashpra ndaj Qeverisë Amerikane për të siguruar bashkimin e rreth 2,000 fëmijëve emigrantë me prindërit e tyre më 26 korrik.

Pas një padie të bërë nga Unioni Amerikan për Liritë Civile, gjyqtari, Dana Sabraw në San Diego kishte urdhëruar në muajin qershor të bashkoheshin familjet që janë ndarë pasi kanë kaluar kufirin SHBA- Meksikë.

Qeveria ka dështuar që të plotësojë afatin e fundit të martën për të bashkuar prindërit me fëmijët e tyre nën moshën pesëvjeçare.

Sipas dokumenteve të gjykatës, rreth 46 nga 103 fëmijë vazhdojnë të jenë të ndarë nga prindërit e tyre për shkak të shqetësimeve të sigurisë, dëbimit të prindërve të tyre dhe çështje tjera.

Qeveria ka thënë se përpjekjet e saj për të bashkuar familjet janë zvogëluar për shkak të testeve të ADN-së dhe verifikimit të së kaluarës kriminale të prindërve, për të vendosur nëse të njëjtit nuk përbëjnë rrezik për ambientin e fëmijëve.

New York, fenomeni Manhattanhenge sjell pamje mahnitëse (video)

Fenomeni Manhattanhenge ndodh katër herë brenda vitit, duke shkaktuar një përjetim të veçantë për qytetarët e New Yorkut dhe turistët
NEW YORK – Shumë njerëz në New York janë tubuar në Manhattan për të shijuar pamjet e fenomenit të ashtuquajtur Manhattanhenge, perëndimit të diellit në linjë me rrugët kryesore të kësaj lagjeje të qytetit amerikan.

Fenomeni Manhattanhenge ndodh katër herë brenda vitit, duke shkaktuar një përjetim të veçantë për qytetarët e New Yorkut dhe turistët e shumtë që shijojnë perëndimin e diellit i cili lëshohet në rrugët të cilat janë saktësisht të pozicionuara në kahet lindje-perëndim.

Me paraqitjen e këtij fenomeni, njerëzit nxitojnë për të bërë fotografi të paharrueshme të rrugëve të pushtuara nga drita e artë e diellit në perëndim.

Kim Jong Un, letër presidentit Trump

Presidenti amerikan Donald Trump tha të ejten se ai mori një letër “shumë të mirë” nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un që vlerëson përpjekjet e udhëheqësit amerikan për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për të zbatuar një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga udhëheqësit në Samitin e tyre të Singaporit në muajin qershor.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1017446575474335744))

Presidenti Trump postoi në Twitter një fotografi të letrës së bashku me përkthimin në anglisht, duke thënë se përmbajtja e letrës së udhëheqësit koreanoverior tregon se “po bëhen përparime të mëdha”.

“Unë besoj fuqimisht se vullneti i fortë, përpjekjet e sinqerta dhe qasja unike nga unë dhe Shkëlqesia Juaj zoti President që ka për qëllim një të ardhme të re mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara me siguri se do të realizohet”, thuhet në letrën e udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un.

Letra u publikua në të njëjtën ditë kur doli njoftimi se zyrtarë të Koresë së Veriut nuk u paraqitën për një takim me homologët e tyre amerikan të enjten për të biseduar mbi kthimin e trupave të amerikanëve që vdiqën gjatë Luftës së Koresë në fillim të viteve 1950, në një shenjë të re të rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

Zyrtarët amerikanë prisnin që negociatorët e Koresë së Veriut të paraqiteshin për diskutime në zonën e çmilitarizuar të Gadishullit Korean pasi Sekretari i Shtetit Mike Pompeo mendoi se kishte arritur një marrëveshje për këtë takim në diskutimet e javës së kaluar në Phenian rreth zotimit të Koresë së Veriut për t’i dhënë fund programit të saj të armëve bërthamore .


Send this to a friend