Një amerikan në katër ka fshirë aplikacionin e “Facebook” nga smartfonët e tyre.
54 % kanë deklaruar se kanë modifikuar vendosjet mbi privacinë 12 muaj para sondazhit dhe 42% deklarojnë se po bëjnë pak pushim për disa javë.
Ky është rezultati i kërkimit nga Pew Research Center, që ka intervistuar 4.594 amerikanë të maturuar nga 29 maji në 11 qershor, pas çështjes së ‘Cambridge Analytica’.
Skandali, i cili doli në mes të marsit, ka nxjerrë në dritë abuzimin nga një shoqëri këshillimi, me emër ‘Cambridge Analytica’, e cila mendohet se ka marrë të dhëna nga djetra milionë përdorues të Facebook-ut pa lejen e tyre.
Lajmi për sigurinë e brishtë bëri që sipërmarrja e Zuckerberg të humbiste miliarda dollarë në bursë dhe shkaktoi humbje të besimit nga ana e përdoruesve për rrjetin social.
Sipas sondazhit të realizuar nga Pew, 74% e amerikanëve kanë bërë të paktën një nga këto aktivitete që muaj para se të intervistoheshin: modifikuan vendosjet për privacinë, është shkëputur fare nga rrjeti social për disa javë, ose kanë eleminuar fare aplikacionin nga smartfoni.
Dy analistë amerikanë janë shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve si zgjidhja e duhur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosoves dhe Serbisë. Ata theksojnë se kjo mund të nxisë konflikte të reja dhe mund të destabilizojë rajonin.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç takohen të premten në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ideja për korrigjimin e kufijve ose shkëmbimin e territoreve i ka dhënë një rëndësi të veçantë këtij takimi që do të ndërmjetësohet nga Shefja e BE-së për politikën e jashtme, Frederica Mogherini.
David Philips, Drejtor i Institutit të Paqes në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork, i tha Zërit të Amerikës se ideja e shkëmbit të kufijve është e rrezikshme.
“Ndryshimi i kufijve do të ishte i rrezikshëm dhe destabilizues. Në dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian Presidetentët Thaçi dhe Vuçiç ndodhen në një udhëkryq. Ata mund të zgjedhin ndarjen ose një zgjidhje të negociuar që do t’i jepte më shumë të drejta sërbëve të Kosovës në përputhje me marrëveshjet e arritura. Kjo pastaj do të duhet të çonte në njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga Serbia. Kjo është një rrugë më e matur dhe më realiste se sa një zgjedhje e pamatur për ndarje”.
Edhe analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve për motive etnike.
“Nuk ka asnjë problem ligjor që Kosova dhe Serbia ta bëjnë këtë, nëse e njohin njëra-tjetrën dhe vendosin marrëdhënie diplomatike. Unë jam kundër shkëmbimit nëse motivi nuk është shkëmbimi i territorit, por shkëmbimi i popullatave në një përpjekje për të homogjenizuar vendet e tyre. Kjo është në kundërshtim me parimet demokratike liberale dhe është një drejtim i gabuar për Serbinë dhe Kosovën”.
Sipas zotit Philips, për të shmangur një rikthim në konfliktet e viteve 1990 në ish-Jugosllavi, është në interesin e Serbisë që të përqëndrohet më shumë në përmirësin e gjendjes së sërbëve në Kosovë sesa në idenë e ndarjes së saj.
“Rruga më e mirë për sigurimin e interesave të saj kombëtare (për Serbinë) është promovimi i interesat e sërbëve të Kosovës që mund të arrihet në Kosovë me të një qeverisje më të mirë dhe respektim të të drejtave të pakicave në bazë të parimeve të Planit të Ahtisarit dhe kushtetutës së Kosovës. Ndryshimi i kufijve nuk e stabilizon situatën, por do ta bënte atë më të pasigurtë”.
Zoti Serwer është dakord me analistin David Philips se aleternativa më e mirë është arritja e një marrëveshjeje që nuk prek kufijtë e tanishëm dhe përqëndrohet në përmirësimin e të drejtave të pakicave.
“Shkëmbimi i territoreve nuk pasqyron shqetësim për trajtimin e serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë. Unë mendoj se ky duhet të jetë shqetësimi kryesor për kosovarët sot sepse aftësia e tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO varet nga mënyra se si ata do t’i trajtojnë sërbët dhe pakicat e tjera. Shkëmbimi i territorove do të provokonte akte të dhunshme ndaj shqiptarëve që jetojnë në disa fshatra në veri të Kosovës dhe ndaj serbëve në jug të lumit Ibër.”
Analistët thonë se përmirësimi i të drejtave të pakicave dhe gjetja e një zgjidhjeje pa prekur kufijtë ekzistues do të përshpejtonte përpjekjet e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka hedhur poshtë spekulimet se ai është autor i shkrimeve që sulmojnë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një artikull në The New York Times, që është thënë të jetë shkruar nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, thuhet se të zgjedhurit Trumpit janë duke tentuar të pengojnë agjendën e presidentit amerikan.
Një zëdhënës i nënpresidentit ka kundërshtuar se Pence është mbrapa shkrimit.
Trump në anën tjetër e ka cilësuar autorin e tekstit të “mjerë” dhe gazetën të “rreme”.
“New York Times duhet të ketë turp ashtu sikurse personi që ka shkruar këtë shkrim të rremë, të palogjikshëm dhe të mjerë. Zyra jonë qëndron përtej atyre akteve amatore”, është shprehur drejtori për Komunikime në Zyrën e Pence, Jarrod Agen.
The Vice President puts his name on his Op-Eds. The @nytimes should be ashamed and so should the person who wrote the false, illogical, and gutless op-ed. Our office is above such amateur acts.
Zërat që mendojnë se Pence është autor i shkrimit bazohen në një pjesë të tekstit ku përdoret termi “udhëheqës”, në aspektin e personit që drejton liderët dhe të cilin nënpresidenti e ka përdorur më parë.
Në një pjesë të artikullit të publikuar të mërkurën, autori i refereoht senatorit të ndjerë republikan, John McCain si “udhëheqës që ka rikthyer nderin në jetën publike dhe dialogun kombëtar”.
Presidenti Donald Trump e quajti ‘pa shtyllë kurrizore’ autorin anonim të një shkrimi të botuar nga gazeta Nju Jork Tajms në rubrikën e opinioneve, i cili duke pretenduar se është zyrtar i lartë i administratës, flet për një rezistencë brenda Shtëpisë së Bardhë kundër kreut të administratës.
Autori i shkrimit, i cili thotë se punon për Presidentin Trump, thekson se shumë zyrtarë të lartë të administratës po veprojnë me seriozitet nga brenda për të sabotuar pjesë të axhendës së tij dhe prirjet më të këqia personale të tij.
Pak orë pas publikimit të shkrimit, Presidenti Trump reagoi në Twitter: “A ekziston vërtet ‘zyrtari i lartë i administratës’, apo është gazeta e dështuar Nju Jork Tajms që del me një burim të rremë? Nëse ky person anonim pa shtyllë kurrizore vërtet ekziston, gazeta Nju Jork Tajms, për qëllime të sigurisë kombëtare, duhet t’ia dorëzojë atë menjëherë qeverisë”, shkruante ai. Në një tjetër koment në Twitter, presidenti pyeste me gërma të mëdha: “TRADHTI?”
Autori anonim i opinionit në Nju Jork Tajms e quan presidentin ‘amoral’ dhe shkruan se “përveç marketimit masiv të idesë se shtypi është ‘armiku i popullit’, impulset e Presidentit Trump janë përgjithësisht anti-tregtisë dhe anti-demokratike.”
“Mos më keqkuptoni, – shkruan ai. – Ka edhe pika pozitive që mbulimi thuajse i pandërprerë negativ i administratës nuk i vë në dukje: heqja e rregullave të tepruara, reforma historike e sistemit të taksave, fuqizimi i mëtejshëm i ushtrisë dhe të tjera. Por këto suksese kanë ardhur jo si rrjedhojë e stilit drejtues të Presidentit, i cili është impulsiv, konfliktual, meskin dhe i paefektshëm”.
“Shqetësimi më i madh, – shkruan autori, – nuk është ajo që zoti Trump i ka bërë presidencës, por ajo që ne si komb e kemi lejuar të na bëjë. Ne jemi zhytur poshtë bashkë me të dhe kemi lejuar që diskursi ynë të zhvishet nga qytetaria.”
Sjellja e paparashikueshme e Presidentit, thotë autori anonim, do të kishte qenë edhe më shqetësuese po të mos ishin “heronjtë e heshtur brenda dhe rreth Shtëpisë së Bardhë”.
“Disa prej ndihmësve të tij janë përshkruar si njerëz të këqinj nga mediat. Por privatisht, ata kanë bërë ç’është e mundur për të mos lejuar që vendimet e gabuara të dalin nga muret e Shtëpisë së Bardhë, megjithëse jo gjithnjë kanë patur sukses.”
Si rrjedhojë, shkruan ai, presidenca funksionon në dy pista.
“Merrni politikën e jashtme: Publikisht dhe privatisht, Presidenti Trump shfaq një preferencë për autokratët dhe diktatorët, si Presidenti Vladimir Putin i Rusisë ose udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe tregon pak vlerësim të sinqertë për marrëdhëniet që na lidhin me aleatët, me vendet që mendojnë si ne. Megjithatë, vëzhguesit e mprehtë kanë vënë re se pjesa tjetër e administratës punon në një pistë tjetër, ku vende si Rusia kritikohen publikisht për ndërhyrje dhe si rrjedhojë ndëshkohen dhe ku aleatët kudo në botë mbahen afër si të barabartë e nuk vihen në lojë si rivalë.”
Gazeta Nju Jork Tajms thotë se me kërkesë të autorit ka ndërmarrë hapin e pazakontë për të botuar këtë shkrim anonim, pasi puna e tij në administratë do të vihej në rrezik nëse emri publikohej.
Në reagimin e saj të mërkurën mbrëma, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, kritikonte gazetën dhe e quante frikacak autorin e shkrimit anonim:
“Jemi të zhgënjyer, por jo të habitur, – shkruante ajo – që gazeta ka zgjedhur të publikojë një shkrim të tillë të ulët, të papërgjegjshëm dhe egoist… Personi prapa këtij shkrimi ka marrë përsipër të mashtrojë në vend që të mbështesë presidentin e zgjedhur me proces të rregullt të Shteteve të Bashkuara. Ky frikacak duhet të bëjë gjënë e duhur dhe të japë dorëheqjen.”
“Presidenti Trump ka një program të guximshëm dhe ambicioz. Çdo ditë që nga ardhja në detyrë, ai ka përmbushur premtimet e bëra,” – thuhet në reagimin e Shtëpisë së Bardhë.
Senatori amerikan dhe kryesuesi i Komisionit për Siguri Kombëtare i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ron Johnson, do të vizitojë javën e ardhshme Greqinë, Maqedoninë, Serbinë dhe Kosovën, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Ambasada amerikane në Beograd.
Johnson, gjatë turneut në Ballkan, do të takohet me udhëheqësit rajonalë, tha ambasada.
Ai është një nga bashkëpunëtorët e lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, i ngarkuar me misione të posaçme.
Vizita e tij vjen në kohën kur Kosova dhe Serbia po shqyrtojnë idenë e ndryshimit të kufijve, ndërsa këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, ka thënë se SHBA-ja nuk i përjashton korrigjimet territoriale.
Presidenti Donald Trump ndërmori sot një sulm të ri ndaj një libri që e përshkruan presidencën e tij dhe Shtëpinë e Bardhë si kaotike dhe jofunksionale, duke lënë të kuptohet se është e nevojshme të ndryshohen ligjet për shpifjen për të mbrojtur njerëzit nga ato që ai i quan raportime të rreme.
Fjala është për librin e ri me titull “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, i cili ka 448 faqe dhe pritet të dalë në qarkullim më 11 shtator. Autori, Bob Woodward është gazetari të cilit i njihet merita si njeriu që ndihmoi për rrëzimin e Presidentit Richard Nixon në vitin 1974.
Disa pjesë nga ky libër, të publikuara të martën, përshkruajnë atë që autori e quan një “grusht shteti administrativ” dhe “krizë nervore” gjatë 19 muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë.
Në reagimin e tij sot në Twitter, Presidenti Trump thotë: “A nuk është turp që dikush të shkruajë një artikull apo një libër, të sajojë histori krejtësisht të paqena dhe të formojë një imazh që është plotësisht e kundërta e personit që përshkruan dhe të kalojë pa ndonjë ndëshkim apo kosto”. “Nuk e kuptoj pse politikanët e Uashingtonit nuk i ndryshojnë ligjet për shpifjen?”
Libri i autorit Bob Woodward e përshkruan Presidentin Trump si injorant deri në rrezikshmëri ndaj çështjeve botërore ndërsa administratën si jofunksionale dhe të përfshirë nga grindjet e brendshme.
Megjithëse edhe më parë ka patur rrëfime të ngjashme për Shtëpinë e Bardhë nga gazetarë apo ish-pjestarë të stafit, përshkrimet e autorit Woodward japin një tabllo edhe më shqetësuese për administratën.
Në një koment të publikuar mbrëmë në Twitter, Presidenti Trump shtronte pyetjen nëse Woodward është një operativ i Partisë Demokrate të opozitës.
Libri citon shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly që e përshkruan presidentin si të çbalancuar mendërisht. Zoti Kelly citohet gjithashtu të ketë thënë gjatë një takimi se “për shkak se presidenti është ‘idiot’, është “e pakuptimtë të përpiqet ta bindë atë për ndonjë gjë, se ai ka dalë nga shinat dhe se jetojmë në një qytet të çmendurish”.
Gjenerali Kelly reagoi menjëherë duke hedhur poshtë citimet që përmenden në libër:
“Ideja që unë ta kem quajtur ndonjëherë presidentin ‘idiot’ nuk është e vërtetë,” tha ai në një deklaratë, duke përsëritur se ai “ka një marrëdhënie tepër të sinqertë dhe të fortë” me presidentin Trump.
Zoti Kelly thekson se ai është i përkushtuar ndaj presidencës së zotit Trump, ndaj axhendës së tij dhe ndaj vendit.
“Kjo është një tjetër përpjekje patetike për të ndotur njerëzit pranë Presidentit Trump dhe për ta hequr vemendjen nga sukseset e shumta të administratës”, shkruan zoti Kelly.
Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis citohet në libër ta ketë përshkruar Presidentin si njeri me nivelin e një nxënësi të “klasës së pestë apo të gjashtë” për nga mënyra se si i kupton gjërat.
Edhe zoti Mattis reagoi me anë të një deklarate të lëshuar të martën mbrëma nga Pentagoni:
“Fjalët përbuzëse për presidentin që më atribuohen mua në librin e Woodward-it nuk janë shqiptuar asnjëherë nga unë ose në praninë time”, shkruan sekretari i mbrojtjes.
Në libër thuhet se në prill të vitit të kaluar kur presidenti sirian Assad urdhëroi që kundër civilëve të përdoreshin armët kimike, Presidenti Trump thirri sekretarin e mbrojtjes Mattis dhe i tha se donte ta vriste Assadin. Mattis citohet në libër t’i ketë thënë një ndihmësi se “ne nuk do ta bëjmë këtë. Do të jemi shumë më të matur”.
E pyetur rreth këtij episodi që përmendet në libër, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley reagoi duke thënë” “Asnjëherë nuk e kam dëgjuar presidentin të flasë për vrasjen e Asadit.”
Në libër thuhet se dy zyrtarë të larguar nga Shtëpia e Bardhë, këshilltari i lartë ekonomik i presidentit, Gary Cohn dhe sekretari i stafit Rob Porter, kanë hequr dokumente nga tavolina e presidentit që ai të mos i nënshkruante. Arsyeja që ata e bënë këtë, thuhet në libër, ka qenë “për të mbrojtur vendin”.
Në procesin e shkrimit të librit, autori Woodward në mënyrë të përsëritur ka kërkuar të intervistojë me Presidentin Trump por pa sukses.
Nga regjistrimi i një bisede mes tij dhe Presidentit pasi libri ishte bërë gati për shtyp, del se zoti Trump akuzon gazetarin se ka shkruar një “libër shumë të pasaktë”. Sipas zotit Trump, ky libër nuk pasqyron faktin që asnjë prej paraardhësve të tij në Shtëpinë e Bardhë nuk ka “bërë një punë më të mirë se ai” si president.
Woodward thotë në libër se presidenti i shikon përparësitë e sigurisë kombëtare në prizmin e shifrave të deficitit tregtar dhe shpenzimeve për mbajtjen e trupave amerikane jashtë. Sipas librit, kur u pyet nga Presidenti se përse Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë për praninë e madhe me trupa në Korenë e Jugut, sekretari Mattis thuhet se iu përgjigj: “Po e bëjmë këtë për të parandaluar Luftën e Tretë Botërore”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi një libër për Shtëpinë e Bardhë nën udhëheqjen e tij, të shkruar nga gazetari Bob Woodward.
Trump e cilësoi atë si “mashtrim për publikun”.
Shefi i stafit të tij dhe sekretari i Mbrojtjes po ashtu thanë se libri është “patetik” dhe “trillim”.
Në libër, ndihmës të lartë të Trumpit citohen të kenë thënë se ata kanë fshehur dokumente të ndjeshme për ta parandaluar Trumpin nga nënshkrimi i tyre.
Ata po ashtu citohen të kenë thënë se presidenti është “idiot” dhe “gënjeshtar”.
Woodward është gazetar i respektuar, i cili ka ndihmuar në zbulimin e rolit të presidentit Richard Nixon në skandalin Watergate, në vitet 1970.
Libri i tij “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” pritet të dalë në publik më 11 shtator.
Një libër i ri për Presidentin Donald Trump e përshkruan udhëheqësin amerikan si injorant deri në rrezikshmëri ndaj çështjeve botërore ndërsa administratën si jofunksionale dhe të përfshirë nga grindjet e brendshme.
Libri i ri i gazetarit Bob Woodward titullohet “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë” dhe bazohet në qindra orë intervista me aktorë të dorës së parë në presidencën tashmë 20-muajshe të zotit Trump.
Ai e përshkruan udhëheqësin amerikan si të fiksuar me hetimin penal të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës dhe mbi mundësinë që Presidenti Trump të jetë përpjekur të pengojë hetimin.
Woodward shkruan se në një moment, në fillim të këtij viti, ish-avokati i Presidentit Trump John Dowd organizoi një sesion për të praktikuar presidentin që të përgatitej nëse merrej në pyetje rreth lidhjeve të mundshme të fushatës së tij me Rusinë, por zoti Trump u ngatërrua aq shpesh me faktet saqë më në fund shpërtheu në zemërim.
“E gjitha kjo është një mashtrim i çmendur”, tha ai dhe në fund shtoi: “Nuk dua të dëshmoj.” Dowd, sipas librit, i tha presidentit se do të përfundonte në burg nëse dëshmonte para zotit Mueller.
Muaj më vonë, tregon Woodward, Presidenti i tha avokatit Dowd: “Do të jem një dëshmitar vërtet i mirë.”
“Ju nuk jeni dëshmitar i mirë”, u përgjigj Dowd. “Zoti President, kam frikë se nuk mund t’ju ndihmoj dot”.
Të nesërmen në mëngjes, Dowd u largua nga puna si avokat i Presidentit.
Avokatët e tanishëm të presidentit kanë negociuar prej muajsh me ekipin ligjor të zotit Mueller për organizimin e një interviste me Presidentin por nuk kanë arritur dot marrëveshje. Avokati i zotit Trump Rudy Giuliani ka thënë në mënyrë të përsëritur se ka frikë se nëse presidenti dëshmon nën betim, ai do të kapet në dëshmi të rreme, pra se ka gënjyer autoritetet.
Bob Woodward, dekada më parë, kur ishte gazetar i ri i “Uashington Postit” u mor me hetimin e korrupsionit brenda në Shtëpinë e Bardhë dhe shkrimet e tij çuan në dorëheqjen e Presidentit Riçard Nixon.
Në librin e tij, ai citon zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, që sipas tij flasin me përçmim për Presidentin Trump duke thënë se ai nuk e çan kokën se veprimet e tij si president mund të rrezikojnë sigurinë botërore.
Negociatat e zotit Woodward për një intervistë me Presidentin Trump nuk patën sukses. Më pas, presidenti u përpoq vetë për të folur me gazetarin, por ishte tepër vonë, sepse dorëshkrimi ishte përfunduar.
Autori citon shefin aktual të stafit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly ta ketë quajtur Presidentin Trump “idiot” dhe “të paparashikueshëm”. Sipas Woodward, Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis e përshkruan zotin Trump si njeri me nivelin e një nxënësi të “klasës së pestë apo të gjashtë” për nga mënyra se si i kupton gjërat.
“Ai është një idiot, nuk ka kuptim të përpiqesh ta bindësh për ndonjë gjë, ai ka dalë nga shinat, jemi në një qytet të çmendurish”, shkruan Woodward duke cituar gjeneralin Kelly në një takim të stafit në zyrën e tij. “Nuk e kuptoj përse rrimë akoma këtu, kjo është puna më e keqe që kam pasur ndonjëherë”.
Woodward shkruan se ndihmësit shpesh i hiqnin dokumentet nga tavolina e Presidentit Trump në Zyrën Ovale, për të mos lejuar që ai të nënshkruante ndonjë gjë që ndihmësit mendonin se do të rrezikonte sigurinë e botës ose interesat e SHBA. Autori e quan këtë “një grusht shteti administrativ” dhe një “shkatërrim nervor” të degës ekzekutive.
Woodward shkruan gjithashtu se zoti Trump shpesh tallej pas shpine me ndihmësit e tij. Në një rast ai thoshte për ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare, HR McMaster se duket “si shitës birre”, për nga kostumet e lira që mban. Ndërsa për shefin e mëparshëm të stafit Reince Priebus thoshte se i ngjan një miu të vogël që vetëm vrapon andej-këtej.
Një zjarr i madh ka përfshirë Muzeun Kombëtar në Rio de Zhaneiro të Brazilit, i cili njëherësh njihet si institucioni më i vjetër shkencor në këtë shtet.
Zjarrfikësit janë duke u përballur me flakët në ndërtesë, në të cilën gjenden më shumë se 20 milionë eksponate.
Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë person të përfshirë në flakët e së dielës.
Muzeu, i cili dikur ka shërbyer si rezidencë për familjen mbretërore portugeze, ka shënuar 200-vjetorin e themelimit më herët gjatë këtij viti.
Në disa pamje në transmetuesin televiziv brazilian është parë teksa zjarri ka përfshirë ndërtesën, pasi ky institucion ishte mbyllur për turistët.
Ende nuk është bërë e ditur shkalla e dëmit si pasojë e zjarrit.
Presidenti i Brazilit, Michel Temer ka thënë përmes një postimi në Twitter, se e diela ka qenë “ditë e trishtë për të gjithë brazilianët” pasi “ka humbur puna, kërkimi dhe njohuria 200 vjeçare”.
Pesë ditë të zisë dhe ceremoni të ndryshme mortore për senatorin amerikan John McCain marrin fund sot, me varrimin e tij në Akademinë Ushtarake në Annapolis, të Merilendit, afër Washingtonit.
McCain do të prehet pranë mikut tij të hershëm, shokut të tij të klasës në Akademi, Admiralit Chuck Larson, i cili vdiq në vitin 2014.
Gjatë gjithë këtyre ditëve populli amerikan, familjarë, miq dhe udhëheqës e nderuan senatorin McCain me disa ceremoni, ku folësit shprehën respektin e tyre për një njeri me virtyte të larta, patriot dhe të guximshëm, një ligjvënës që vuri gjatë gjithë jetës së tij interesat e Amerikës mbi gjithshka, duke kapërcyer edhe linjat partiake.
Vetë McCain kishte kërkuar që në shërbesën përkujtimore të tij të flisnin dy ish-presidentë, dikur rivalë të tij në politikë, George W. Bush dhe Barack Obama, duke dhënë një mesazh të qartë për politikanët amerikanë: bashkëpunimin për interesat e vendit.
Në një letër lamtumire drejtuar kombit, zoti McCain shkruante: “E dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin me rivalitetet fisnore që kanë mbjellë fyerje, urrejtje dhe dhunë në mbarë anët e globit. E dobësojmë kur fshihemi pas mureve të larta, në vend që t’i shembim ato; kur vëmë në dyshim fuqinë e idealeve tona, në vend që të besojmë se ato do të jenë forca e madhe për ndryshim, siç kanë qenë gjithnjë”.
Familjarë, miq dhe ish kolegë ishin në mesin e qindra njerëzve që morën sot pjesë në shërbimin përkujtimor për Senatorin e Arizonës John McCain, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.
Dy ish presidentë, Republikan George W. Bush dhe ai demokrat Barack Obama folën në ceremoninë, që McCain e kishte planifikuar që gjatë periudhës kur ai luftonte me kancerin në tru. Zoti McCain nuk mundi të sigurojë emërimin e partisë së tij republikane në vitin 2000, që e fitoi zoti Bush dhe në vitin 2008 ai i humbi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të Partisë Demokrate, Obama.
Ish-Presidenti Barack Obama tha se ai dhe George W. Bush ishin me fat që konkurruan me John McCain-in për Shtëpinë e Bardhë. “Ai na bëri presidentë më të mirë, ashtu siç e bëri Senatin më të mirë, ashtu siç e bëri më të mirë këtë vend”. “Kanceri nuk e frikësoi”, dhe “…ai kurrë nuk humbi optimizmin e tij, për jetën”. tha presidenti Obama.
Barack Obama denoncoi gjendjen aktuale të politikës amerikane duke e përshkruar atë “të ulët dhe mjerane”, gjatë fjalës që mbajti në ceremoninë e mbajtur sot në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në ditën e katërt të zisë për heroin e luftës, Senatorin John McCain.
“A nuk është ajo çfarë festojmë këtë javë fryma e të përpjekurit për të qenë më të mirë, për të bërë gjëra më të mira, për të qenë të denjë për trashëgiminë që ngritën themeluesit tanë?”, shtroi pyetjen zoti Obama, ndërsa mbante eulogjinë për mikun dhe shpesh kundërshtarin e tij politik.
“Shumë prej politikës sonë, jetës sonë publike, debatit tonë publik mund të duket e vogël, e ligë, dhe e ulët, e mbytur në deklarime bombastike, fyerje dhe kundërshti false, si dhe inate të sajuara”, tha zoti Obama.
Pa e përmendur me emër Presidentin Donald Trump, zoti Obama shtoi: “Është një politikë që shtiret si e guximshme dhe e fortë, por në fakt është e lindur prej frikës. John-i na bëri thirrje të gjithëve të ngrihemi përtej kësaj. Ai na bëri thirrje të jemi më të mirë se kaq”.
Ish-Presidenti George W. Bush tha se Senatori John Mc Cain do të kujtohet me mirënjohje për shërbimin e tij ndaj vendit, si një burrë me kod moral, për tiparet e tij, kurajon, ndershmërinë dhe dashurinë që kishte për lirinë.
Në eulogjinë e tij, zoti Bush, tha se McCain “ishte i respektueshëm; kishte gjithnjë parasysh se kundërshtarët e tij ishin sidoqoftë patriotë dhe qenie njerëzore”.
Por, edhe zoti Bush, në vazhdim të fjalës së tij, e konsideroi të papranueshme status quo-në e politikës në Uashington, të cilën e përkufizoi si të kundërtën e pikëpamjeve personale të zotit McCain.
“Ai respektonte dinjitetin e mishëruar në çdo qenie njerëzore, një dinjitet që nuk ndalet tek kufijtë dhe që nuk mund të fshihet nga diktatorët. Ndoshta mbi gjithçka tjetër, John urrente abuzimin me pushtetin”, tha zoti Bush.
Përveç presidentëve Obama and Bush, fjalime lamtumire mbajtën Senatori Lindsey Graham, ish Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, që ishte edhe këshilltari i Presidentit Nikson për Luftën e Vietnamit anëtarë të familjes së Senatorit McCain. Në fjalimet e tyre ata theksuan kontributin e zotit McCain për vendin dhe cilësitë e tij të veçanta morale.
Meghan, e bija e zotit McCain, gjithashtu i bëri nderimet babait të saj nëpërmjet një reference pa emër ndaj Presidentit Trump dhe motos së tij “ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”.
“Amerika nuk mburret pasi nuk e ka të nevojshme. Amerika e John McCain-it nuk ka nevojë të bëhet sërish madhështore, pasi Amerika është përherë madhështore”, tha ajo mes duartrokitjeve.
“Jetojmë në një epokë kur rrëzojmë heronjtë e vjetër amerikanë për shkak të mangësive të tyre, ndërkohë që asnjë udhëheqës nuk dëshiron të pranojë vetë fajet apo dështimin e tyre”, tha Meghan McCain, ndërsa shtoi se babai i saj ishte “një përjashtim dhe se na dhe një ideal për të cilin të luftojmë”.
Kortezhi u nis të shtunën nga ndërtesa e Kapitolit, drejt Katedrales Kombëtare dhe bëri një ndalesë tek Memoriali i Luftës së Vietnamit, ku bashkëshortja e zotit Mc Cain vendosi një kurorë për nder të atyre që humbën jetën në këtë luftë.
Dje, qindra anëtarë të Kongresit ndoqën ceremoninë, përpara arkivolit në Kapitol, një nder që u është rezervuar vetëm 30 amerikanëve në të gjithë historinë e vendit.
Arkivoli mbështetej mbi një katafalk prej druri, që u përdor për herë të parë në vitin 1865, për të vendosur arkivolin e presidentit të vrarë Abraham Lincoln. Presidenti Donald Trump nuk u ftua në ceremoninë e së premtes, apo në funeralin që mbahet të shtunën, një vendim që është parë nga shumë njerëz si kritikë ndaj zotit Trump.
Në ceremoninë e Kapitolit, foli megjithatë nënpresidenti Pence, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës ishin të pranishëm. Të pranishëm ishin edhe e veja e zotit McCain, Cindy, shtatë fëmijët e tij dhe nëna e tij 106-vjeçare, Roberta McCain. “Gjithmonë do të kujtojmë se John McCain i shërbeu vendit dhe se i shërbeu me nder vendit të tij,” tha zoti Pence.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e përshkroi senatorin McCain si “një nga shpirtrat më të guximshëm që ka prodhuar ndonjëherë Amerika”.
Pas ceremonisë të së premtes, trupi i senatorit McCain qëndroi në Kapitol për homazhe nga publiku. Pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan qëndronte një roje nderi e Kapitolit.
Ndër shoqëruesit në banesën e fundit të John McCain-it radhiteshin aktori Warren Beatty, ish-Nënpresidenti Joe Biden, ish-kryetari i bashkisë i Nju Jorkut Michael Bloomberg, si dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.
Në një letër lamtumire drejtuar kombit, zoti McCain shkruante: “E dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin me rivalitetet tribale që kanë mbjellë fyerje, urrejtje dhe dhunë në mbarë cepat e globit. E dobësojmë kur fshihemi pas mureve të larta, në vend që t’i shembim ato; kur vëmë në dyshim fuqinë e idealeve tona, në vend që të besojmë se ato do të jenë forca e madhe për ndryshim, siç kanë qenë gjithnjë”.
Dy ish presidentë të Shteteve të Bashkuara flasin sot në shërbimin e memorialit të ish senatorit të Arizonës John McCain, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.
Presidenti Republikan George W. Bush dhe ai demokrat Barack Obama do ta kujtojnë mikun e tyre në një shërbim që McCain e kishte planifikuar vetë që gjatë periudhës kur ai luftonte me kancerin në tru.
Zoti McCain nuk mundi të sigurojë emërimin e partisë së tij republikane në vitin 2000, që e fitoi zoti Bush dhe në vitin 2008 ai i humbi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të Partisë Demokrate, Barack Obama.
Kortezhi u nis të shtunën nga ndërtesa e Kapitolit, drejt Katedrales Kombëtare, bëri një ndalesë tek Memoriali i Luftës së Vietnamit, ku bashkëshortja e zotit Mc Cain vendosi një kurorë për nder të personave që humbën jetën në këtë luftë.
Presidenti Donald Trump mungon dukshëm në ceremonitë e përkujtimore që po zhvillohen për senatorin John McCain. McCain dhe Trump nuk u pajtuan për një numër çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Disa analistë e shohin grindjen mes tyre si simbolikën e përplasjeve të vlerave brenda Partisë Republikane.
Në pesë ditët e homazheve për senatorin republikan John McCain … një numër figurash të shquara në politikën amerikane, përfshirë ish-nënpresidentin, Joe Biden, i cili foli në shërbesën e së enjtes për të nderuar mikun e tij të afërt.
“Gjithmonë e kam menduar Johnin si vëlla. Kemi patur shumë zënka si të ishim në një familje.”
Biden ishte kandidati për nënpresident në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës që i fitoi Barack Obama.
Një ish rival tjetër, George W. Bush, mposhti John McCain për kandidaturën presidenciale republikane në vitin 2000.
Këta politikanë kanë luftuar me senatorin McCain, ndonjëherë edhe ashpër. Megjithatë, ai u kërkoi të dy ish presidentëve, Bush dhe Obama, të mbajnë fjalime lamtumire në funeralin e tij.
“Shumë herë kur bisedon me njerëz që dikur ishin armiqtë e tij politikë, sheh se tani janë miqtë e tij më të mirë. Ai ishte në gjendje të ndryshonte situatën dhe të rregullonte marrëdhëniet”, thotë Peter Kunhardt regjisor i dokumentarit “For Whom the Bell Tolls”.
I vetmi që mungon në shërbimet përkujtimore për senatorin McCain? Presidenti Donald Trump.
“Nuk jam i sigurt nëse kemi parë ndonjëherë, të paktën në jetën tonë, një situatë si kjo ku një president republikan dhe një senator republikan nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin në një shkallë të tillë sa të mos të ftohet për funeralin e tjetrit dhe kur presidenti ndryshon mendimin nëse do të ngrejë flamurin në gjysmë shtize”, thotë David Barker me Universitetin Amerikan.
Flamuri mbi Shtëpinë e Bardhë u ul në gjysmë shtize, më vonë u ngrit dhe pastaj përsëri u ul, pas kritikave të ashpra për presidentin Trump.
Përveç një ngushëllimi në Twitter ditën e vdekjes së senatorit McCain, deklarata e parë publike e presidentit Trump erdhi dy ditë më vonë.
“Ne vlerësojmë shumë gjithçka që senatori McCain ka bërë për vendin tonë”.
McCain ishte një kritik i ashpër i presidentit, për të cilin mendonte se ishte shumë pranë Moskës.
McCain e shihte Presidentin rus Vladimir Putin si një diktator dhe shpesh nxiti veprime të Kongresit kundër tij.
Më pas erdhën pikëpyetjet e presidentit Trump nëse McCain ishte një hero i Luftës së Vietnamit.
“Është hero lufte, sepse u kap rob. Më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen”.
Analistët thonë se armiqësia McCain – Trump përfaqëson luftën midis pushtetarëve të vjetër dhe të rinj të partisë republikane.
“Të pëlqen ose jo, partia e re republikane është tani partia e Trumpit. Nuk është një parti rreth tregut të lirë apo tregëtisë së lirë apo e parimeve që e dallonin dikur partinë republikane, përfshi disa nga ato që dallonin senatorin John McCain, si politika e jashtme fuqishme”, thotë analisti David Barker.
Përsa i përket senatorit McCain, ai duket se po dërgon një mesazh të fundit jo vetëm për Trumpin, por edhe Putinin, duke zgjedhur disidentin rus Vladimir Kara-Murza si një nga njerëzit që do të mbajnë arkivolin e tij.
Në Uashington vemendja të premten është në selinë e Kongresit amerikan me një ceremoni solemne për senatorin John McCain.
Arkivoli me trupin e senatorit të ndjerë John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81 vjeçare, u soll në Kongres për herë të fundit të premten paradite, ku atij po i bëhen homazhe në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u është rezervuar deri sot vetëm 30 personaliteteve që nga viti 1852, kur filloi kjo praktikë. Trupi i Senatorit republikan të Arizonës u soll në Uashington pas një ceremonie përkujtimore të ejten në qytetin Phoenix.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rritur sulmet e tij ndaj agjencive për zbatim të ligjit, duke paralajmëruar se ai mund të “përfshihet” në vendime, në kohën e hetimeve “të turpshme” që po kryhen nga Departamenti i Drejtësisë dhe FBI-ja.
Duke folur në një tubim në Indiana më 30 gusht, Trump ka thënë se njerëzit janë të zemëruar për çështjet si hetimi i Këshilltarit Special, Robert Mueller, rreth asaj nëse ka pasur bashkëpunim në mes të Rusisë dhe fushatës së Trumpit, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
“Departamenti ynë i Drejtësisë dhe FBI-ja jonë duhet të fillojnë të bëjnë punën e tyre në mënyrë të duhur dhe atë menjëherë”, ka deklaruar Trump.
“Unë dua të qëndroj jashtë, mirëpo në një moment, nëse ata nuk reformohen, unë do të përfshihem dhe nëse më duhet do të jem brenda”, ka thënë ai.
Mueller është angazhuar në hetime për të kuptuar nëse fushata e Trumpit është koordinuar me Rusinë për të kthyer rezultatin e zgjedhjeve në favor të tij.
Trumpi deri tani ka hedhur poshtë çdo bashkëpunim me Moskën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kundërshtuar se Qeveria e tij ka ndërhyrë në zgjedhje, pavarësisht të dhënave të agjencive amerikane të Inteligjencës dhe komiteteve të Kongresit se, Moska ka ndërhyrë duke manipuluar opinonin publik.
I pyetur në një intervistë për Bloomberg News, të publikuar para tubimit më 30 gusht, nëse do ta pranonte ndonjë thirrje nga Mueller për t’u marrë në pyetje, Trumpi ka thënë se do të shohë se çfarë do të ndodhë.
“Unë e shoh ndryshe”, është cituar të ketë thënë Trumpi.
“Unë e shoh si hetim ilegal” sepse “studiues të mrekullueshëm” kanë thënë se “nuk pa pasur nevojë kurrë për këshilltar special”, ka deklaruar ai.
Avokati i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, një këshilltar kyç i presidentit Donald Trump, do të largohet në javët e ardhshme, tha zoti Trump të mërkurën.
McGahn ishte avokat i zotit Trump gjatë fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016, përpara se të merrte postin e këshilltarit juridik të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti tha se zoti McGahn do të largohet pasi të ketë mbikqyrur fushatën në Uashington për të ndihmuar gjyqtarin Brett Kavanaugh të marrë konfirmimin e Senatit për t’u bërë anëtar i Gjykatën së Lartë në seancat që zhvillohen muajin tjetër.
Javët e fundit, McGahn ka qenë duke përgatitur dhe prezantuar gjyqtarin Kavanaugh në zyrat e senatorëve për takime të gjata njohëse me ligjvënësit përpara seancave të konfirmimit. Shtëpia e Bardhë shpreson se Senati do ta konfirmojë emërimin e zotit Kavanaugh para 1 tetorit, kur Gjykata e Lartë të fillojë mandatin e ri.
“Kam punuar me Don McGahn për një kohë të gjatë dhe vërtet e vlerësoj shërbimin e tij!” tha Presidenti Trump në Twitter.
Presidenti Trump ka gjithashtu një ekip avokatësh personalë, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, të cilët e kanë këshilluar përsa u përket hetimeve penale të ndërmarra nga prokurori i posaçëm Robert Mueller rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale dy vjet më parë, rreth një bashkëpunimi të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë dhe nëse presidenti ka penguar drejtësinë.
Vitin e kaluar Presidenti Trump shkarkoi ish drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili në atë kohë drejtonte hetimin e agjencisë rreth Rusisë, duke çuar në emërimin e zotit Mueller, edhe pse zoti Trump nuk ishte dakord me këtë emërim.
Zoti McGahn shërben si avokat që trajton interesat juridike të Shtëpisë së Bardhë. Por marrëdhëniet e tij me Presidentin Trump, sipas disa njoftimeve, janë bërë më të tensionuara gjatë javëve të fundit, kur dolën lajme lajmet se McGahn, me miratimin e Presidentit Trump, ishte ulur vullnetarisht për 30 orë intervista me hetuesit e zotit Mueller gjatë një periudhe disa muajshe.
Sipas njoftimeve, zoti McGahn iu përgjigj pyetjeve në lidhje me shumë ngjarje brenda Shtëpisë së Bardhë dhe me veprime të ndryshme të Presidentit Trump.
Një makinë e zezë me trupin e senatorit të ndjerë amerikan John McCain, arriti të mërkurën në Kapitolin e shtetit Arizona për homazhe në këtë shtet, që ai e ka përfaqësuar që nga vitet 1980.
Anëtarët e Gardës Kombëtare me uniforma të Arizonës bartën arkivolin në sallën rrethore të Kapitolit ku u vendos trupi i senatorit, ndërkohë që dita e mërkurë përkonte me 82 vjetorin e tij të lindjes.
McCain vdiq të shtunën nga kanceri i trurit.
Para fillimit të ceremonisë, veteranë dhe ushtarakë aktivë kishin dalë në trotuar për të pritur trupin, i cili u soll në Kapitolin e Arizonës nga një shtëpi funeralesh.
Më vonë pasdite, Kapitoli u hap për publikun për t’i dhënë senatorit lamtumirën e fundit.
Për një pjesë të banorëve të Arizonës, McCain ka qenë politikani më i njohur në jetën e jetën e tyre. Ai e mori detyrën në fillim të viteve 1980, së pari si kongresmen dhe më pas si senator, një post i mbajtur dikur nga senatori Barry Goldwater.
McCain është personaliteti i tretë publik, trupi i të cilit vendoset në Kapitolin e Arizonës për homazhe gjatë 40 viteve të fundit.
Të premten, trupi i tij do të vendoset në Kapitolin e Kongresit në Uashington, ndërsa shërbimi përkujtimor përfundimtar do të mbahet të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.
NEW YORK – Një tufë e madhe bletësh ka vërshuar sheshin Times, një nga pikat e famshme turistike të qytetit të New Yorkut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Mijëra bletë dje në orët e pasdites kanë vërshuar një tezgë për shitjen e sanduiçëve me salsiçe (hot-dog) që gjendej në kryqëzimin mes Rrugës 43 dhe Bulevardit Broadway në Sheshin Square, qendrën e lagjes Manhattan.
Bletët shkaktuan rrëzimin e çadrës së tezgës. Në vendin e ngjarjes ndërhyri policia, ndërkohë që trafiku u mbyll përkohësisht.
Policia e New Yorkut përdori metodën me vakum për të mos i dëmtuar bletët, duke i transferuar ato në një vend tjetër.
Andrew Cote nga ekipi policor tha se vërshimet e këtilla të bletëve zakonisht ndodhin në muajt e pranverës, por shtoi se për shkak të ngrohjes së motit, mbretëresha mund të ketë braktisur kosheren dhe për këtë arsye bletët e tjera mund të jenë mbledhur në çadrën e tezgës.
“Mbase bletët kanë dashur vetëm të hanë sanduiç me salsiçe”, tha Cote në formë shakaje. aa
Një grup zyrtarësh dhe ish zyrtarësh amerikanë nga i gjithë spektri politik do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të së shtunës për Senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare. Në ceremoninë që do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Uashington do të flasin ish-Presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush si dhe ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger dhe ish senatori Joseph Lieberman.
Ndërkaq, dje pasdite Presidenti Donald Trump komentoi për herë të parë për senatorin e ndjerë pas një heshtjeje publike që zgjati dy ditë. Komentet erdhën pas një proteste nga grupet e veteranëve.
Në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë për nder të udhëheqësve evangjelistë, Presidenti Trump ofroi vlerësime për senatorin McCain, i cili ishte gjithashtu ish-rob lufte, avioni i të cilit u rrëzua në Vietnam.
“Zemrat dhe lutjet tona janë me familjen e Senatorit John McCain. Do të ketë shumë aktivitete në ditët e ardhshme dhe ne vlerësojmë shumë gjithçka që Senatori McCain ka bërë për vendin tonë. Faleminderit”
Përpara komentit të së hënës, presidenti Trump nuk përfilli pyetjet e gazetarëve rreth senatorit McCain, duke lënë shumë njerëz të dyshonin se presidenti Trump nuk e kishte kapërdirë dot humbjen që i shkaktoi vota e senatorit McCain ndaj përpjekjeve të presidentit për të shfuqizuar aktin e kujdesit shëndetësor, të njohur si “Obamacare”.
Ndryshimi i qëndrimit të Presidentit Trump nga presioni i grupeve të veteranëve për të ulur në gjysmë shtizë flamujt në Shtëpinë e Bardhë për nder të senatorit McCainit, nxiti spekulimet se presidenti mund të ruante inatin ndaj senatorit McCain, i njohur për “fjalën e drejtpërdrejtë”. Para vdekjes së tij, senatori McCain kërkoi që presidenti Trump të mos merrte pjesë në asnjë ceremoni për të. Nënpresidenti Mike Pence, me të cilin McCain shërbeu në Kongres, do të marrë pjesë në një ceremoni në Kongres të premten dhe tre anëtarë të kabinetit të presidentit Trump do të marrin pjesë në përkujtimoret e kësaj jave.
Trupi i senatorit McCain, veteran i luftës dhe burrë shteti, do të vendoset në sallën e Kongresit në Uashington para funeralit të tij të dielën. McCain do të varroset në Akademinë Detare në Annapolis të Merilendit, ku ai ka studiuar.
Gjatë fjalimit për evangjelistë të hënën, presidenti Trump gjithashtu ofroi lutje dhe ngushëllime për viktimat e incidentit në Xheksonvil të Floridës, ku një person vrau dy njerëz dhe plagosi disa të tjerë para se të merrte jetën e tij në një kampionat lojrash elektronike.
UASHINGTON – Presidenti amerikan, Donald Trump, i është nënshtruar presionit të opinionit publik mbrëmë dhe urdhëroi që në institucionet në mbarë SHBA-të flamujt të ulen në gjysmë shtizë për shkak të vdekjes të senatorit amerikan, John McCain.
Fundjavën e kaluar ndërroi jetë senatori i shquar republikan dhe veterani i luftës së Vietnamit, McCain, i cili gëzonte respekt të madh edhe në bllokun demokrat. McCain njihej si një nga kritikët më të ashpër të presidentit amerikan Trump dhe në testamentin e tij ai kërkoi që Trump të mos jetë i pranishëm në funeralin i cili do të mbahet më 2 shtator.
Trump në lidhje me vdekjen e McCain ka lëshuar një mesazh ngushëllimi familjes McCain dhe nuk i ka lejuar administratës së Shtëpisë së Bardhë të publikojë një deklaratë zyrtare në të cilën vlerëson senatorin e ndjerë.
McCain në testamentin e tij ka deklaruar se kombi amerikan mbahet me ideale, jo me territore dhe gjak, me çka ka kundërshtuar nacionalistët e bardhë të cilët kryesisht mbështesin Trumpin dhe idenë e tij për kombin e madh amerikan.
Trump në deklaratën e radhës konfirmoi se kishte pikëpamje të ndryshme, por megjithatë, ka thënë se respekton McCain dhe shërbimin e tij që i ka bërë Amerikës.
Trump konfirmoi se nuk do të marrë pjesë në tubimet tre ditore komemorative të cilat fillojnë të premten, ndërsa administratën e Shtëpisë së Bardhë do ta udhëheqë zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Mike Pence. aa
Senatori John McCain, i cili vdiq të shtunën pas një beteje të gjatë me kancerin e trurit, do të nderohet me ceremoni në Arizona dhe Uashington.
Trupi i tij do të vendoset së pari në kapitolin e shtetit të Arizonës, ku të mërkurën do të mbahet një ceremoni private, me rastin e 82-vjetorit të ditëlindjes.
Të enjten, në një kishë baptiste të qytetit Feniks do të mbahet një shërbim përkujtimor privat me pjesmarrjen e publikut.
Në Uashington, ku flamujt në institucionet e ndryshme janë ngritur në gjysmë shtizë, trupi i senatorit McCain do të vendoset të premten në ndërtesën e Kapitolit, ku njerëzit do të bëjnë homazhe.
McCain do të jetë senatori i 13-të amerikan, trupi i të cilit nderohet në sallën rrethore të Kapitolit, një nder që u rezervohet “qytetarëve më të shquar” të vendit, sipas zyrtarëve të Kapitolit.
Të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit do të mbahet një shërbim përkujtimor, ku do të flasin ish-presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush.
Senatori McCain do të prehet në Varrezat e Akademisë Detare në Anapolis të shtetit Marilend, pranë mikut më të ngushtë që ai kishte gjatë viteve të Akademisë detare, Admiralit Chuck Larson.
Disa nga kritikët e Presidentit Donald Trump po bëjnë thirrje për ngritje akuzash me qëllim shkarkimin e Presidentit në Kongres, pasi ish-avokati i tij e implikoi Presidentin në një shkelje të mundshme të ligjeve për financimin e fushatave elektorale. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Marcus Harton, kundërshtarët politikë të Presidentit në Kongres janë duke mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm.
Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit Donald Trump, u vetëdeklarua fajtor javën e kaluar për tetë akuza për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave, për mashtrim me taksat dhe mashtrim bankar. Shkeljet përfshijnë edhe kryerjen e pagesave për të blerë heshtjen e grave që pretendojnë se kanë patur marrëdhënie intime me zotin Trump. Zoti Cohen thotë se zoti Trump e udhëzoi për të bërë pagesat, por Presidenti dhe mbështetësit e tij e mohojnë këtë dhe e quajnë zotin Cohen gënjeshtar.
Janë shtuar tashmë thirrjet për ngritjen e akuzave në Kongres me qëllim shkarkimin e Presidentit, por ligjvënësi demokrat Eric Swalwell, tha gjatë emisionit “ABC THIS WEEK” se nuk ka ende prova të mjaftueshme. Ai është anëtar i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, që do të ishte edhe organi që do të ndërmerrte hapin e parë drejt ngritjes së akuzave. Ligjvënësi Swalwell thotë se është e parakohshme të diskutohet ky hap. Por, ai shtoi se hetimet do të ishin përparësi e punës nëse demokratët do të kontrollonin Dhomën e Përfaqësuesve.
“Gjëja më e mirë që mund të bëjmë është që t’i premtojmë popullit amerikan se nëse na jep shumicën, ne do të kryejmë hetimet që republikanët nuk duan t’i bëjnë. Për shkeljet në financimin e fushatës elektorale. Për kontaktet e tij me rusët. Madje, edhe për deklaratën e tij të taksave që populli amerikan ende nuk e ka parë. Premtoj se një shumicë demokrate do ta realizojë edhe këtë”, tha ligjvënësi Swalwell.
Shumica e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve kanë mbrojtur Presidentin mes hetimeve të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje dhe pengimit të drejtësisë.
Avokati aktual i Presidentit Trump tha javën e kaluar se do të ishte gabim ngritja e akuzave për shkarkimin e Presidentit.
“Mendoj se një proces shkarkimi do të ishte i tmerrshëm. Nuk ka asnjë arsye. Ai nuk bashkëpunoi me rusët. Ai nuk pengoi drejtësinë. Gjithçka që tha Cohen është hedhur poshtë. Shkarkimi do të bëhej vetëm për arsye politike dhe populli amerikan do të rebelohej”, deklaroi Rudy Giuliani, avokat i Presidentit Trump.
Analistët thonë se demokratët ngurrojnë të flasin për shkarkimin pasi i druhen provokimit të mbështetësve të zotit Trump. Kjo temë ushqen trazirat politike ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve të mesmandatit në muajin nëntor, zgjedhje të cilat do të përcaktojnë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit.
UASHINGTON – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka penguar administratën e Shtëpisë së Bardhë për të publikuar një kumtesë zyrtare me rastin e vdekjes të senatorit republikan John McCain.
Duke u thirrur në deklaratat e zyrtarëve të paemëruar të Shtëpisë së Bardhë, mediat amerikane raportojnë se zëdhënësja Sarah Sanders dhe shefi i kabinetit të Trumpit, John Kelly me rastin e vdekjes së djeshme të senatorit McCain lëshuan një njoftim zyrtar të Shtëpisë së Bardhë në të cilën flitet në superlativ për senatorin tashmë të ndjerë McCain duke e cilësuar si hero amerikan.
Të njëjtat burime raportojnë se presidenti amerikan Trump nuk ka miratuar publikimin e këtij teksti.
McCain ishte një nga kritikët më të zëshëm të politikave të Trumpit brenda qarqeve republikane, ndërsa Trump me rastin e vdekjes së tij u mjaftua me një mesazh ngushëllues që ia dërgoi familjes McCain përmes Twitterit.
Trump tre vite më parë publikisht kontestoi epitetin e McCain si hero nga lufta e Vitenamit.
“Ai nuk është hero lufte. Njihet se hero pasi ishte kapur si rob, ndërsa unë i dua ata që nuk janë kapur robër”, pati thënë Trump në një prononcim në vitin 2015.
Nga ana tjetër, zyra e senatorit të ndjerë McCain ka njoftuar se varrimi i tij do të mbahet më 2 shtator në varrezat e Akademisë Detare në Mayland.
Në ndërkohë në Arizona dhe në Washington do të mbahen akademi komemorative. aa
Astronautët e NASA do të zhvendosen për të jetuar në një bazë pranë Hënës më 2024. Ky është lajmi që ka dhënë zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence.
“Ndërkohë që shikimi ynë është fokusuar edhe njëherë tëk fqinji ynë hënor, këtë herë nuk do jemi të kënaqur vetëm me të lënit pas disa gjurmë, madje as të largohemi.” -ishin fjalët e tij gjatë një konference pranë “Nasa’s Johnson Space Centre”.
“Ka ardhur koha për Shtetet e Bashkuara që te marrim çfarë kemi mësuar gjatë gjithë këtyre dekadave, të vëmë në punë të gjithë zgjuarsinë dhe kreativitetin e NASA-s dhe të krijojmë një banim permanent rreth Hënës.”- shtoi ai.
NASA po zhvillon një satelit të quajtur “Lunar Orbital Platform-Gateway” , i cili do të niset në hapësirë në vitin 2022 dhe do të shërbejë si një ndalim stacionar përpara eksplorimeve të ardhshme.
Ky sipas Mike Pence, është misioni i qeverisë së Trump për të bërë programin amerikan të hapësirës të shkëlqyer sërish.
VOAL – John Sidney McCain III ka lindur më 29 gusht 1936 në Coco Solo, në zonën e kontrolluar të Panamasë prej Shteteve të Bashkuara. Të dy gjyshi dhe babai, John S. McCain Jr, mburren për një karrierë të shkëlqyer si admiralë të Marinës së SHBA. Gjyshi i tij, John McCain S., Sr, ishte komandant i marinës së forcave ajrore gjatë betejës së Okinavës në vitin 1945, ndërsa babai i tij ishte në komandën e forcave të armatosura gjatë Luftës së Vietnamit.
John vijoi në shkollën episkopale deri në vitin 1954, pastaj hyri në Akademinë Detare Annapolis. Ai u diplomua në vitin 1958.
Pas akademisë detare është transferuar në bazën ajrore të Pensacola (Florida), ku ai filloi trajnimin e tij si një pilot detar. Pavarësisht nga një aksident që pësoi avioni i tij duke rënë në gjirin Corpus Christi, ai merr patentën për të hyrë në aviacionin.
Në vitin 1965, John McCain u martua me Karol Shepp, një model nga Filadelfia, nga e cila adopton fëmijë (ajo i kishte nga një martesë e mëparshme), lind me të një vajzë (në vitin 1966) dhe ndahen më 1980.
Gjatë luftës së Vietnamit aeroplani i tij u rrëzua. Është 26 tetor 1967. McCain është i burgosur: i ndaluar për më shumë se pesë vjet, ai kthehet në atdhe dhe bëhet i famshëm në shkallë kombëtare. Në Vietnam ai ishte torturuar dhe nuk ishte dorëzuar.
Në vitin 1980 u martua me Cindy Hensley (me të cilën ka katër fëmijë) dhe me të u zhvendos në Phoenix, në shtetin e Arizonës.
Pas njëzet e dy viteve të karrierës ushtarake ai iu përkushtua politikës, ku ai përfshihet më 1977, si përfaqësues i marinës në Senat. Në vitin 1982 ai u zgjodh në Kongres ku mbështeti administratën Reagan. Ai pastaj aplikoi për Senatin për shtetin e Arizonës dhe u zgjodh në vitin 1986.
Në vitin 1999 ai botoi librin “Besimi i Etërve të mi”, i cili tregon historinë ushtarake të familjes së tij dhe që përfshin përvojat e tij tragjike.
Republikan, një konservator i fortë, në vitin 2000 vendosi të kandidojë për presidencën. Megjithatë, ai mundi nga Xhorxh W. Bush.
Kthehet në garë për zgjedhjet e vitit 2008; megjithëse është konservator, në sytë e opinionit publik ai tregon pavarësi të konsiderueshme: nuk është e pazakontë që votat e tij të devijojnë nga linjat e partisë.
Në nëntor 2008 ai u mposht nga Barack Obama.
Në vitin 2012 ai nuk u kthye në zgjedhjet presidenciale, të fituara nga konservatori Mitt Romney, të cilin vendosi ta mbështeste menjëherë. Megjithatë, ai do të mposhtet nga Obama.
Në vitin 2016, në moshën 80 vjeçare, në zgjedhjet paraprake republikane për president në vitin 2016, përballë mbështetjes në rritje ndaj miliarderit Donald Trump, merr një qëndrim kundër manjatit. McCain ndan fjalët e ish presidentit të kandidatit 2012 Mitt Romney duke kërkuar që “të mos votojnë për Trumpin” sepse vlerat e tij janë të papajtueshme me republikanizmin. Megjithatë, Trump zgjidhet.
Në korrik 2017 ai u diagnostikua me një glioblastomë, një formë agresive e tumorit të trurit për të cilën ai iu nënshtrua operacionit. Ende pa u shëruar, ai nuk heq dorë për të shkuar në Senat për të votuar kundër veprimit të Trumpit herë për të shfuqizuartë ashtuquajturin “Obamacare”, reformën e dëshiruar nga Obama që revolucionarizoi sistemin amerikan të kujdesit shëndetësor, duke i dhënë më shumë të drejta dhe mbrojtje pacientëve.
McCain vdiq më 25 gusht 2018 në Phoenix, Arizona, në moshën 81 vjeç.
Senatori amerikan, John McCain, gjashtë herë senator republikan nga Arizona dhe hero i luftës që ka duruar gati gjashtë vjet torturë dhe robëri në burgun famëkeq Hanoi Hilton, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.
I njohur për qëndrimin luftarak gjatë gjithë dekadave në Senat dhe për dy përpjekje të dështuara për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, McCain ka vuajtur nga kanceri në tru.
Ai ka qenë i rrethuar nga familja dhe miqtë në Arizona në ditët e fundit, ndërsa ka ndërruar jetë pas publikimit të librit të tij të fundit “Vala e shqetësimit: Kohët e mira, kauzat e drejta, luftërat e mëdha dhe vlerësimet e tjera”.
Në librin e tij, McCain ka pranuar se nuk ka ide se sa kohë i ka mbetur për të jetuar, porse kjo nuk e ka ndaluar të godasë presidentin aktual, Donald Trump, të shprehë keqardhje për zgjedhjen e ish-guvernatores së Alasakës, Sarah Palin, si kandidate për zëvendëse të tij në fushatën e vitit 2008, si dhe të shprehë shqetësime për reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij.
Për kohë të gjatë kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, McCain është konsideruar ekspert në çështje të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.
McCain ka lindur në Stacionin Detar Solo Coco të Panamasë më 29 gusht, 1936, në një familje me histori të thellë ushtarake.
Duke ndjekur gjurmët e babait dhe të gjyshit të tij, të dy admiralë me katër yje, ai ka diplomuar në Akademinë Detare në Anapolis, në vitin 1958.
Më pak se një dekadë më vonë, ai është dërguar në Vietnam, ku aeroplani i tij është goditur në Hanoi.
Pavarësisht dy duarve të thyera, gjurit të thyer dhe torturës së vazhdueshme, McCain i ka refuzuar ofertat për lirim të parakohshëm nga robëria, duke thënë se ai do të largohet vetëm kur i burgosuri i fundit amerikan të dalë nga dera.
“Kam rënë në dashuri me vendin tim kur kam qenë i burgosur në vendin e dikujt tjetër”, ka thënë McCain kur ka pranuar emërimin e Partisë Republikane për kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.
“I kam dashur Shtetet e Bashkuara për dinjitetin e tyre, për besimin në urtësinë, drejtësinë dhe mirësinë e popullit të tyre. I kam dashur sepse nuk kanë qenë vetëm një vend, por një ide, një kauzë për të cilën duhet luftuar. Nuk kam qenë kurrë i njëjti përsëri. Nuk kam qenë i vetes sime më, kam qenë i vendit tim”, ka thënë McCain.
Por, ai ka vazhduar të jetë vetja e tij.
Si senator, ai i ka sfiduar presidentët, pavarësisht përkatësisë partiake, nëse e ka ndjerë se politikat e tyre nuk janë në përputhje me pikëpamjet e tij. Në sytë e publikut, ai është transformuar nga hero i luftës në ikonë politike, duke fituar reputacionin e një rebeli.
Gjatë mandatit të tij të parë në Kongres, ai është ngritur kundër presidentit Ronald Reagan, një republikan i respektuar deri më sot, për shkak të vendimit të tij për t’i vendosur marinsat paqeruajtës në Bejrut me kapacitete të kufizuara mbrojtëse.
Shqetësimet e McCainit kanë qenë me vend, pasi një sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në kazermë, duke vrarë 241 marinsa në tetor të vitit 1983.
Nami i tij është rritur derisa vazhdimisht ka sfiduar presidentin tjetër republikan, George W. Bush, në lidhje me shkurtimet e taksave, akuzat për tortura dhe strategjinë e SHBA-së në Irak.
McCain ka qenë po aq i ashpër edhe me udhëheqësit e Partisë Demokratike.
Ai ka qenë një nga kritikët më të ashpër të politikës së jashtme të presidentit Barack Obama. Ai ka vënë në pikëpyetje vendimin e tij për të tërhequr trupat nga Iraku dhe refuzimin e tij për të mos tërhequr “vija të kuqe” në Siri, pasi presidenti i këtij vendi, Bashar al-Assad, ka përdorur armët kimike kundër popullit të tij.
Gjërat kanë ndryshuar pak edhe kur republikani Donald Trump ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2017.
McCain është vënë në rolin e kundërshtarit kryesor të presidentit. Të dy ata janë përplasur shpesh publikisht në lidhje me politikën e jashtme, sidomos sa i përket Sirisë, Rusisë dhe Kinës.
Trump, i cili vazhdimisht nënçmon republikanët dhe demokratët që e kritikojnë, e ka quajtur McCainin “jokompetent”. Si kandidat, Trump është tallur me McCainin, duke thënë se “ai është hero i luftës, sepse është zënë rob”. Trump, i cili kurrë nuk ka shërbyer në ushtri, ka thënë se i pëlqen “njerëzit që nuk janë zënë robër”.
Në skenën ndërkombëtare, McCain ka qenë i njohur për qëndrime të drejtpërdrejta dhe për gjuhën e thjeshtë që i ka bërë shpesh çështjet e vështira politike më të lehta për t’u kuptuar.
Ai ka qenë mbështetës i fuqishëm i anëtarësimit të vendeve të Evropës Lindore në NATO.
Në prill të vitit 2017, McCain ka vizituar Malin e Zi dhe ka thënë se anëtarësimi i këtij vendi në aleancën perëndimore ushtarake është jetik për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta të aleatëve perëndimorë për t’i rezistuar një Rusie të rilindur.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në një intervistë të publikuar më 8 qershor të vitit 2017 se McCain – kritikues i tij, i cili ka thënë se Putin është kërcënim më i madh për botën sesa grupi ekstremist Shteti Islamik – jeton në “Botën e Vjetër”.
McCain po ashtu i është referuar Rusisë si “stacion gazi që maskohet si shtet”. Megjithatë, Putin ka thënë se e admiron patriotizmin e McCainit.
McCain ka lënë prapa gruan e tij Cindy, me të cilën ka qenë i martuar për 38 vjet, dhe pesë fëmijë.
Uashingtoni ka zier ditët e fundit nga përplasjet, akuzat e kundër-akuzat mes Presidentit Trump dhe disa ish-drejtuesve të lartë të shërbimeve të zbulimit. Në një bisedë me kolegen Ardita Dunellari, drejtori i ri i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit, thotë se institucioni që ai drejton luan një rol të rëndësishëm për të informuar publikun mbi punën e vështirë dhe me dedikim të agjencive të zbulimit për të garantuar sigurinë kombëtare. Kolonel Chris Costa mori drejtimin e muzeut pas një karriere të gjatë si oficer zbulimi në radhët e ushtrisë.Ai ruan një respekt të veçantë për kolegët dhe dedikimin e tyre dhe një dashuri të madhe për Shqipërinë që mban një vend unik në identitetin e tij:
Në një ditë të ngarkuar vere, kur muzeumet e Uashingtonit janë të mbushura me turistë vendas e të huaj, Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit i hapi dyert para orëve zyrtare për t’i dhënë mundësi ekipit të Zërit të Amerikës të zhvillonte një vizitë private, me ciceron special drejtorin e muzeut, Kolonel Chris Costa. Turneu shoqërohet edhe me rrefëme mbi një episod komik nga puna e tij në zbulim:
“Për herë të parë që po veproja në terren i maskuar, kisha vënë mustaqe fallso. Nuk dua të jap shumë hollësi, por më ofruan një akullore. Nuk e di kujt mund t’i ketë rënë rasti të hajë akullore kur ka vënë mustaqe fallso. Isha i tmerruar se do të më binin mustaqet”.
Është një privilegj i veçantë të dëgjosh shpjegime mbi misteret e kësaj bote të fshehtë nga një profesionist i fushës. Koloneli Costa sapo ka përmbyllur një karrierë mbi 30 vjeçare në strukturat e zbulimit të ushtrisë dhe më pas si Asistent Special i Presidentit dhe Drejtorit për Anti-terrorizmin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump.
Tranzicioni nga jeta si ushtarak në strukturat e zbulimit tek roli i drejtuesit në një prej institucioneve kulturore të Uashingtonit nuk ishte e lehtë, tregon koloneli, por gradualisht ai zbuloi një mision të ri në këtë detyrë:
“U shndërrua në katarzë, në një mundësi fantastike për të rrëfyer historinë time në mënyrë të përgjegjshme, për t’u angazhuar në dialog me publikun, për t’i treguar në një farë mënyre familjes se çfarë kisha bërë gjatë karrierës”.
Ai e quan një dhuratë të mirëpritur ofertën për këtë post, ku ai ka mundësinë për të informuar publikun për kontributin që japin kolegët që punojnë në fshehtësi të plotë, pa mirënjohjen dhe pa dijeninë e kombit të cilit i shërbejnë.
“Pikësëpari është privilegj që punoj këtu; që në një mënyrë simbolizoj njerëzit që punojnë në hije e anonimitet. Njerëzit më thonë se nuk kam pse shqetësohem, nuk më është vënë kush prapa me pushkë. Por të mos harrojmë. Në këtë mision nuk lejohen gabime. Unë duhet të përfaqësoj njerëz që nuk flasin dot publikisht për të shpjeguar apo mbrojtur punën që bëjnë”.
Është një periudhë e shoqëruar me interesim të shtuar për shërbimet e zbulimit. Presidenti Trump ka vënë në pikëpyetje disa herë rezultatet e punës së këtyre shërbimeve në lidhje me hetimet mbi Rusinë, pasur nga një deklaratë ku presidenti tërhiqte komentet e më parshme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ish-drejtues të lartë të strukturave të zbulimit janë mbërthyer ditët e fundit në një duel fjalësh me ofeza e akuza të ndërsjellta. Kolonel Costa shprehet se arma më e mirë në çdo debat është objektiviteti:
“Njerëzit kanë të drejtën e fjalës kur largohen nga qeveria. Roli im është të jem objektiv, ashtu siç më kërkohej të isha edhe në detyrën e një oficeri zbulimi. Duhet të jem objektiv, të bazohem tek faktet. Të tjerët le të flasin. Ne do të ofrojmë faktet. Njerëzit mund të vijnë në muzeum, të shohin ekspozitat. Historia do t’i ndihmojë të konceptualizojnë ngjarjet”.
Koloneli flet me respekt dhe krenari të dukshme për punën e shërbimeve të zbulimit ku ka shpenzuar pjesën më të madhe të jetës. Interesi për këtë fushë i lindi që në fëmijëri, tregon ai:
“Në 1972, kur po ndiqja Olimpiket e Mynihut dhe sulmin terrorist, më lindi dëshira. Doja gjithashtu të ndiqja në gjurmët e babait. Ai ishte oficer i Marinës Amerikane. Unë u bëra oficer për zbulimin në radhët e ushtrisë amerikane”.
Nga familja ai ka marrë më tepër se një prirje në karrierë dhe dedikimin si ushtarak amerikan.
“Si vete … Mirëmbrëma,” thotë zoti Costa në shqip.
Koloneli është brezi i tretë i një familjeje emigrante nga Shqipëria.
“Gjyshërit e mi, të dy u lindën në Shqipëri dhe i sollën prindërit e tyre këtu, mbërritën në Ellis Island. Këtu gjetën Ëndrrën Amerikane. Krijuan familje. Unë jetoj me trashëgiminë që më lanë. Janë shumë krenar për prejardhjen shqiptare. Prindërit e babait ishin nga Vithkuqi, pranë Korçës, ndërsa prindërit e nënës ishin nga Berati. Pata shansin që në fillim të viteve 1990 të ecja nëpër të njëjtat rrugë në fshatrat nga kishin ardhur ata. Ishte e mrekullueshme”.
Gjyshërit, tregon kolonel Costa, i rritën fëmijët me një ndjenjë të fortë të identitetit shqiptar. Prindërit e tij, megjithëse të lindur në Shtetet e Bashkuara ishin jo vetëm të vetëdijshëm dhe krenarë për origjinën, por edhe aktivë në komunitet përmes Organizatës Kombëtare, Shqiptaro-Amerikane ku edhe u prezantuan gjatë një mbrëmjeje festive:
“Një djalë i ri, i pashëm, oficer në Marinën Amerikane, prezantohet me një vajzë bukuroshe nga Filadelfia. Përfundimin e takimit, e dimë tani”.
Koloneli kujton një moment të bukur nga kontaktet e tij me shqiptarë gjatë shërbimit si oficer:
“Historia ime e preferuar… pas një operacioni të sukseshëm anti-terrorist në Afganistan rastisa në disa ushtarë shqiptarë në një bazë ushtarake. Vendosa të kaloj pak kohë me ta. Shkuam për kafe. Nuk më linin të paguaja. Qeshëm, shkëmbyem histori. U tregova se nga e ka origjinën familja ime. Më mbetën sytë tek emblema me shqiponën dy-krenare që kishte njëri prej tyre në uniformë. Ai e shkuli nga uniforma dhe ma dhuroi”.
Këto janë ditë të ngarkuara për drejtorin dhe stafin e këtij institucioni. Vitin e ardhshëm Muzeu Ndërkombëtar i Spiunazhit do të zhvendoset në një ndërtesë të re, moderne, me një koleksion të zgjeruar muzeal. Drejtori na fton të ndjekim ceremoninë e inaugurimit në 2019, ku ai premton të rrëfejë një histori interesante mbi lidhjen e karrierës së tij në radhët e ushtrisë me Marinën, ku ka shërbyer i ati si oficer.
Familja e Senatorit John McCain tha se senatori i Arizonës ka zgjedhur që ta ndërpresë trajtimin mjekësor për kancer në tru.
Përmes një deklarate, familja McCain tha se ai deri tani i ka tejkaluar pritshmëritë për mbijetesën e tij, por “përparimi i sëmundjes dhe mosha e avancuar janë faktorë të pandalshëm. Me forcën e vullnetit që e karakterizon, ai ka bërë zgjedhjen e tij, që ta ndalojë trajtimin mjekësor.”
81-vjeçari McCain është në mandatin e tij të gjashtë si Senator i Arizonës, por ai nuk është paraqitur në punë që nga muaji dhjetor.
Me daljen e lajmit që zoti McCain ka ndaluar mjekimin për kancer në tru, një numër i madh njerëzish i kanë çuar atij mesazhe respekti. Guvernatori i Arizonës Doug Ducey e cilësoi zotin McCain “një hero amerikan”, i cili kurdoherë ka vënë vendin në plan të parë. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha se “ne lutemi për familjen McCain në këto kohë tepër të vështira për të.”
Gjatë dy ditëve të fundit po përmendet gjithnjë e më shumë mundësia e ngritjes së akuzave ndaj Presidentit Trump, me synim shkarkimin e tij nga Kongresi. Megjithëse duken të pakta shanset që shumica republikane të fillojë një proces të tillë, situata mund të ndryshojë nëse demokratët fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit që mbahen në muajin nëntor. Ndërkaq vetë Presidenti u shpreh se nëse ngrihen akuza për shkarkimin e tij, tregu i aksioneve do të falimentojë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, duket se po fillon një fushatë kundër mundësisë së shkarkimit të tij. Ai i tha kanalit Fox News se nëse ngrihen akuza për ta shkarkuar, atëherë ai mendon se tregu i aksioneve do të falimentojë. Në vazhdim, Presidenti ngriti pyetjen se si mund të ngrihen akuza për shkarkimin e tij, ndërsa ai po bën një punë të shkëlqyer.
Ngritja e akuzave për shkarkim është përmendur më shumë gjatë dy ditëve të fundit, pasi ish-drejtori i fushatës Trump, Paul Manafort, u gjet fajtor për tetë akuza nga një juri federale në shtetin Virginia.
Gjithashtu, ish-avokati i hershëm i Presidentit, Michael Cohen, u vetëdeklarua fajtor në një gjykatë të shtetit Nju Jork, për paratë e dhëna gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e dy grave për marrëdhëniet e tyre intime me zotin Trump. Zoti Cohen deklaroi se pati vepruar sipas udhëzimeve të zotit Trump.
Disa ekspertë të politikës sugjerojnë se pranimi nga ana e zotit Cohen i shkeljes së rregullave për financimin e fushatave elektorale dhe implikimi që ai i bëri Presidentit mund të shërbejnë si bazë për ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit, por të tjerë janë skeptikë.
Aktualisht duken shumë të vogla shanset që shumica republikane në Kongres të organizojë procesin e ngritjes së akuzave për shkarkimin e Presidentit.
Megjithatë, nëse demokratët fitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në muajin nëntor, atëherë do të kishin mundësinë të fillonin këtë proces ndaj Presidentit.
UASHINGTON – Presidenti amerikan Donald Trump tha se tregjet do të shkatërrohen dhe njerëzit do të jenë të varfër nëse ndaj tij hapet rruga impiçment.
Këto komente Trump i bëri në një program në kanalin amerikan Fox News, në të cilin ai foli në lidhje me pretendimet e fundit për një impiçment ndaj tij.
“Nuk e di se si mund të dërgoni në gjyqësor dikë që ka kryer një punë të shkëlqyer”, tha Trump, duke theksuar se ai si presidenti i SHBA-së ka bërë punë shumë të mirë, kryesisht në fushën e ekonomisë.
“Po ju them këtë: tregjet do të rrënohen dhe të gjithë do të bëhen të varfër nëse ndaj meje hapet rruga për gjykim në ndonjë mënyrë”, u shpreh Trump në vazhdim, duke iu referuar tregjeve amerikane.
Po ashtu, ai ka mbrojtur qëndrimin e tij se falë qeverisjes ekonomike të tij, kanë arritur një nivel shumë të mirë në bursë.
“Pa këtë, ju nuk mund të besoni se si numrat do të shkonin prapa”, shtoi Trump.
Pasi ish-avokati Michael Cohen u dorëzua në në Byrojnë Federale të Hetimit (FBI) në kuadër të një hetimi ndaj tij dhe deklarimi i tij se do të bashkëpunojë me gjykatën, ka bërë që Trump të shprehë akuza ndaj Cohen.
Fjalët e Cohen i cili ka pretenduar se Trump në periudhën e zgjedhjeve i ka paguar para për heshtjen dy grave me të cilat ka krijuar marrëdhënie në të kaluarën, kanë shkaktuar debate në opinion publik nëse Trump ka gënjyer apo jo në lidhje me këtë çështje. Cohen kishte pretenduar se pagesën e kishte kryer në kuadër të direktivave të Trumpit.
Disa ekspertë në median amerikane mbrojnë idenë e tyre se Trump mund të gjykohet për shkelje të rregullave zgjedhore dhe pjesëmarrje në disa shkelje të tjera. Ndërkaq, Trump pretendon se gjatë këtij procesi nuk ka kryer ndonjë gabim dhe se nuk ka kryer asnjë vepër që të hapë rrugën e gjykimit të tij. aa
Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden thotë se vendimi i Presidentit Trump për t’i hequr çertifikatën e sigurisë një tjetër ish-drejtuesi të CIA-s, John Brennan, ishte jodemokratik dhe një kërcënim për “procesin e gjerë të mënyrës se si qeveriset vendi”.
Zoti Hayden tha për Zërin e Amerikës se zoti Brennan nuk kishte thyer asnjë nga 13 kriteret që merren parasysh në rastet e heqjes së çertifikatës së sigurisë dhe se zoti Trump e kishte marrë vendimin e tij për shkak të fjalimit politik të zotit Brennan.
Zoti Brennan ka qenë jashtëzakonisht kritik ndaj presidentit, duke e quajtur “asgjë më pak, se tradhti” sjelljen zotit Trump gjatë një konferencë të përbashkët shtypi muajin e kaluar me Presidentin rus Vladimir Putin në Finlandë.
Javën e kaluar, si përgjigje ndaj një postimi në twitter të zotit Trump, që e cilësonte “qen” ish-ndihmësen e tij Omarosa Manigault Newman”, zoti Brennan tha për Presidentin Trump se “është befasuese se sa shpesh ai nuk arrin të përmbushë standardet më minimale të mirësjelljes, qytetarisë dhe ndershmërisë”.
Të nesërmen, zoti Trump i hoqi zotit Brennan çertifikatën e sigurisë, duke e akuzuar atë në një deklaratë për mbjellje të “ndarjes dhe kaosit” ndaj administratës së tij dhe se kishte “një histori që e vinte në dyshim objektivitetin dhe besueshmërinë e tij”.
Më tej zoti Trump kërcënoi të revokojë të tjera çertifikata sigurie.
Zotin Hayden dhe një grup ish-zyrtarësh të lartë të zbulimit që kanë punuar me presidentë demokratë e republikanë nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke kritikuar ato që i quajtën veprime “të pamenduara dhe të pashembullta” të zotit Trump. Që nga publikimi i deklaratës, më shumë se 200 ish-zyrtarë të sigurisë kombëtare kanë shprehur kundërshtimin e tyre për heqjen e çertifikatës së sigurisë ish-drejtorit të CIA-s John Brennan.
Presidenti Trump tha të mërkurën në një intervistë se ishte ai, jo fushata e tij, që pagoi paratë përmes avokatit të tij personal, Michael Cohen, në vitin 2016 – vetëm disa ditë para zgjedhjeve, por shtoi se nuk kishte dijeni për këtë në atë kohë.
“E mësova më vonë,” tha zoti Trump për kanalin Fox News.
Një pjesë e intervistës u publikua nga Fox News të mërkurën vonë. Në klipin e publikuar, presidenti këmbëngul se nuk janë përdorur fondet e fushatës për pagesat ndaj dy grave që pretendonin se kishin patur marrëdhënie me të.
“Nuk ka të bëjë me shkeljen e ligjeve për fushatat,” tha Presidenti.
Cohen i tha një gjykatësi federal të martën në New York se ai i bëri pagesat për dy gratë “me qëllimin kryesor për të ndikuar në zgjedhjen e zotit Trump” dhe se ishte kandidati presidencial që e urdhëroi ta bënte këtë.
Dokumentet e paraqitura në gjykatë tregojnë se kompania e pasurive të paluajtshme e zotit Trump autorizoi pagesën prej 420,000 dollarësh për Cohen për punën e bërë prej tij që të blinte heshtjen e dy grave të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie me kandidatin republikan. Faturat e rreme që thuhet se mund të jenë përdorur për të fshehur natyrën e pagesave mund t’i bëjnë prokurorët të fokusohen më tej te kompania e zotit Trump dhe tek fushata e tij.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders, duke iu përgjigjur një breshërie pyetjesh nga gazetarët në një konferencë pasditen e së mërkurës, tha disa herë se presidenti nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se është një “akuzë qesharake” të sugjerosh se presidenti gënjeu më parë për çështjen nëse kishte apo jo dijeni për pagesat.
NË KLIMËN E STUHISË LIGJORE, PRESIDENTI KUNDËRPËRGJIGJET
Presidenti Trump, po e minimizon publikisht çështjen e dy ish bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë Paul Manafort dhe Michael Cohen, të dy fajtorë në gjykatë për vepra penale serioze.
Në një seri postimesh në tweeter të mërkurën zoti Trump sulmoi përsëri Departamentin e Drejtësisë se po zhvillon një “gjueti shtrigash” dhe vlerësoi ish menaxherin e tij të fushatës, Paul Manafort, që siç tha “refuzoi të thyhet dhe të shpikë ngjarje me qëllim arritjen e një marrëveshjeje, sikurse bëri Michael Cohen”.
Zoti Manafort, i cili drejtoi fushatën zgjedhore të zotit Trump në 2016 gjatë tre muajve më të rëndësishëm të saj, ka gjasa të dënohet me vite burgim, për të mos thënë dekada, pas shpalljes fajtor lidhur me tetë akuza për mashtrim. Zoti Manafort do të përballet gjithashtu dhe me një gjyq të dytë për disa akuza të tjera që pritet të nisë muajin e ardhshëm në Uashington.
Presidenti Trump vuri në dukje se për 10 nga 18 akuzat, gjykata nuk mori dot vendim në rastin e Paul Manafort-it. Por disa prokurorë federalë me shumë përvojë thonë se tetë dënimet për krime financiare e përligjin hetimin që Prokurori i Posaçëm po u bën lidhjeve të mundëshme mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.
Shumë ekspertë ligjorë dhe të politikës presin që zoti Trump ta falë zotin Manafort, rasti i parë që u soll në gjyq nga Robert Mueller, ekipi i të cilit vazhdimisht ka qenë në fokusin e kritikave të ashpra të presidentit.
“Lajme të rreme dhe gjueti shtrigash ruse“, tha presidenti gjatë një mitingu politik të martën në mbrëmje në shtetin e Virxhinias perëndimore. “Ku është marrëveshja e fshehtë?”
Një zhvillim i mundshëm ligjor më i madh për zotin Trump është ai që lidhet me ish-avokatin i tij Michael Cohen, i cili i tha një gjykatësi federal të martën në Nju Jork se ai i kishte bërë pagesat ndaj dy grave “me qëllimin kryesor për të ndikuar në zgjedhje” dhe se urdhrin për këtë e kishte marrë nga kandidati presidencial (Donald Trump).
Në deklaratat e publikuara tatimore pohohet se kompania e pasurive të paluajtshme e zotit Trump ka autorizuar t’i paguhen zotit Cohen 420 mijë dollarë në përpjekjen për t’i mbyllur gojën dy grave, të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie me kandidatin republikan. Faturat e rreme që fshihnin qëllimin e pagesave, mund të kërkojnë një shqyrtim të drejtpërdrejtë të prokurorisë, si ndaj kompanisë së zotit Trump ashtu edhe ndaj fushatës së tij.
Avokati i zotit Cohen, Lanny Davis, në një serë intervistash në media të mërkurën, tha se klienti i tij do të bashkëpunojë me hetimin e zotit Mueller dhe mund ta implikojë zotin Trump në të tjera çështje që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit.
Zoti Davis tha se zoti Cohen “do të tregojë të vërtetën rreth Donald Trump-it“.
Tre persona të tjerë që kanë punuar për zotin Trump kanë pranuar gjithashtu fajin për vepra penale të kryera prej tyre: ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, ish-zëvendës menaxheri i fushatës Rick Gates dhe një këshilltar për politikën e jashtme gjatë fushatës, George Papadopoulos.
Stuhia ligjore në rritje që po godet zotin Trump po shton spekulimet se demokratët e opozitës do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, nëse ata sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të muajit nëntor.
Të martën zyrtarët e shtypit të Shtëpisë së Bardhë nuk bënë komente rreth zhvillimeve në gjykatën federale.
Presidenti amerikan Donald Trump po e minimizon publikisht çështjen e dy ish bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë Paul Manafort dhe Michael Cohen, të dy fajtorë në gjykatë për vepra penale serioze.
Në një seri postimesh në tweeter të mërkurën zoti Trump sulmoi përsëri Departamentin e Drejtësisë se po zhvillon një “gjueti shtrigash” dhe vlerësoi ish menaxherin e tij të fushatës, Paul Manafort, që siç tha “refuzoi të thyhet dhe të shpikë ngjarje me qëllim arritjen e një marrëveshjeje, sikurse bëri Michael Cohen”.
Zoti Manafort, i cili drejtoi fushatën zgjedhore të zotit Trump në 2016 gjatë tre muajve më të rëndësishëm të saj, ka gjasa të dënohet me vite burgim, për të mos thënë dekada, pas shpalljes fajtor lidhur me tetë akuza për mashtrim. Zoti Manafort do të përballet gjithashtu dhe me një gjyq të dytë për disa akuza të tjera që pritet të nisë muajin e ardhshëm në Uashington.
Presidenti Trump vuri në dukje se për 10 nga 18 akuzat, gjykata nuk mori dot vendim në rastin e Paul Manafort-it. Por disa prokurorë federalë me shumë përvojë thonë se tetë dënimet për krime financiare e përligjin hetimin që Prokurori i Posaçëm po u bën lidhjeve të mundëshme mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.
Shumë ekspertë ligjorë dhe të politikës presin që zoti Trump ta falë zotin Manafort, rasti i parë që u soll në gjyq nga Robert Mueller, ekipi i të cilit vazhdimisht ka qenë në fokusin e kritikave të ashpra të presidentit.
“Lajme të rreme dhe gjueti shtrigash ruse“, tha presidenti gjatë një mitingu politik të martën në mbrëmje në shtetin e Virxhinias perëndimore. “Ku është marrëveshja e fshehtë?”
Një zhvillim i mundshëm ligjor më i madh për zotin Trump është ai që lidhet me ish-avokatin i tij Michael Cohen, i cili i tha një gjykatësi federal të martën në Nju Jork se ai i kishte bërë pagesat ndaj dy grave “me qëllimin kryesor për të ndikuar në zgjedhje” dhe se urdhrin për këtë e kishte marrë nga kandidati presidencial (Donald Trump).
Në deklaratat e publikuara tatimore pohohet se kompania e pasurive të paluajtshme e zotit Trump ka autorizuar t’i paguhen zotit Cohen 420 mijë dollarë në përpjekjen për t’i mbyllur gojën dy grave, të cilat pretendonin se kishin patur marrëdhënie me kandidatin republikan. Faturat e rreme që fshihnin qëllimin e pagesave, mund të kërkojnë një shqyrtim të drejtpërdrejtë të prokurorisë, si ndaj kompanisë së zotit Trump ashtu edhe ndaj fushatës së tij.
Avokati i zotit Cohen, Lanny Davis, në një serë intervistash në media të mërkurën, tha se klienti i tij do të bashkëpunojë me hetimin e zotit Mueller dhe mund ta implikojë zotin Trump në të tjera çështje që kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit.
Zoti Davis tha se zoti Cohen “do të tregojë të vërtetën rreth Donald Trump-it“.
Tre persona të tjerë që kanë punuar për zotin Trump kanë pranuar gjithashtu fajin për vepra penale të kryera prej tyre: ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, ish-zëvendës menaxheri i fushatës Rick Gates dhe një këshilltar për politikën e jashtme gjatë fushatës, George Papadopoulos.
Stuhia ligjore në rritje që po godet zotin Trump po shton spekulimet se demokratët e opozitës do të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, nëse ata sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të muajit nëntor.
Të martën zyrtarët e shtypit të Shtëpisë së Bardhë nuk bënë komente rreth zhvillimeve në gjykatën federale.
“Ne do të vendosim një taksë prej 25% në çdo makinë që do të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara nga Bashkimi Europian” -tha Presidenti i SHBA, Donald Trump në një takim në Virxhinian Perëndimore mbrëmë, sipas CNBC online.
Trump foli për rreth një orë, duke filluar nga një seri temash ‘të dashura’ për të, nga taksat për Kinën, në marrëdhëniet e tij të mira me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Në të njëjtën tubim, presidenti i SHBA-së nuk përmendi as ish-avokatin Michael Cohen, i cili pak kohë më parë paraqiti pranimin e fajësisë për tetë akuza në një gjykatë në Nju Jork pas një marrëveshje të arritur me autoritetet federale dhe as ish-menaxherin e fushatës së tij zgjedhore Paul Manafort, i cili në Aleksandri, Virxhinia, u dënua për tetë akuza.
Ministri i Tregtisë, Wilbur Ross, ndërhyri në një intervistë me Wall Street Journal: ka një hetim të diskutueshëm që synon të kuptojë nëse administrata Trump duhet të imponojë detyra për makinat e prodhuara jashtë SHBA, sipas Ross, e cila do publikohej brenda muajit aktual.
“Nuk është e sigurt nëse analiza do të shpallet deri në fund të muajit” -shtoi ai, por nuk përjashton “nga negociatat” që po zhvillohen me BE-në nga njëra anë, dhe Meksika dhe Kanadaja nga ana tjetër.
Dy ditë më parë, Presidenti i SHBA Trump, nëpërmjet një deklarate për Reuters akuzoi Kinën dhe Bashkimin Europian që kanë manipuluar monedhat e tyre. “Unë mendoj se Kina manipulon monedhën e tyre, absolutisht. Dhe mendoj se euro po manipulohet gjithashtu”- tha ai.
Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit Donald Trump dhe dikur njeri i besuar i tij, pranoi fajësinë të martën pasdite për shkelje financiare në fushatë zgjedhore.
Ai tha se bashkë me zotin Trump organizuan pagesat për t’i mbyllur gojën yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels dhe një ish modeleje Playboy, me synimin që të ndikohej në zgjedhje.
Sipas një marrëveshjeje të arritur me prokurorët federalë, 51 vjeçari Cohen mund të dënohet me katër deri në pesë vjet burg. Masa e dënimit do të jepet më 12 dhjetor.
Cohen pranoi fajësinë për gjithsej tetë akuza, duke përfshirë mospagim taksash dhe dhënie të një deklarate të rreme një institucioni financiar.
Duke deklaruar fajësinë, Cohen nuk përmendi me emër dy gratë apo Presidentin Trump dhe tha se kishte punuar me një “kandidat të paidentifikuar”. Por shumat e parave dhe datat e përmendura në seancë përkonin saktësisht me pagesat e bëra për zonjën Daniels dhe modelen Karen McDougal.
Pranimi i fajësisë nga Cohen erdhi pas shumë muaj hetimesh të hollësishme federale dhe prishjes së marrëdhënieve të tij me presidentin, për të cilin më parë ai thoshte se ishte gati ta mbronte qoftë edhe nëse “merrte vetë një plumb”.
Në muajin prill, FBI-ja bastisi dhomën e hotelit, shtëpinë dhe zyrën e zotit Cohen duke sekuestruar më shumë se 4 milionë dokumente dhe objekte të tjera. Gjatë bastisjes u kërkuan dokumente bankare, komunikimet me fushatën Trump dhe informacione rreth pagesave, përkatësisht 130 mijë dollarë për Daniels dhe 150 mijë për McDougal. Të dyja gratë kanë thënë se zoti Trump ka patur marrëdhënie intime me to, gjë që ai e ka mohuar.
Të martën, gjatë një vizite për fushatë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth ish-avokatit të tij personal Cohen ndërsa po hipte në avionin presidencial Air Force One.
Presidenti ka shprehur publikisht pakënaqësi për atë që ai thotë se është një ndërhyrje e tepërt e qeverisë, ndërkohë që privatisht është treguar i shqetësuar për materialet që mund të ketë patur në zotërim Cohen, i cili kishte punuar për Organizatën Trump gjatë një dekade. Zoti Trump e quajti bastisjen “një gjueti shtrigash”, një sulm ndaj privilegjit avokat-klient dhe një sulm politikisht të motivuar nga armiqtë në FBI.
Ekipi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, që po heton rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA, ia referoi prokurorëve federalë në Manhatan çështjen Cohen, pasi kjo kishte të bënte me marrëdhënie të tij financiare.
Para zgjedhjeve, Cohen ishte anëtar i besuar i organizatës Trump dhe punonte në një zyrë në kullën Trump shumë pranë asaj të shefit të tij.
Ai organizoi grumbullimin e miliona dollarëve për fushatën e kandidatit Trump.
Vitin e kaluar, pasi u intervistua nga Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve, ai i tha revistës Vanity Fair se zoti Trump nuk kishte të bënte fare me komplotin e dyshuar rus për të manipuluar zgjedhjet.
Mbështetja fillestare e Presidentit për avokatin Cohen pas bastisjes që iu bë atij degjeneroi më pas në një grindje publike, duke nxitur hamendjet se, për të shpëtuar veten, Cohen mund të tregohej i gatshëm t’u jepte prokurorëve disa nga sekretet e tij me zotin Trump.
Më vonë, ekipi i tij publikoi një regjistrim të një bisede me zotin Trump, ku të dy diskutonin për një prej pagesave me të cilën do t’i mbyllnin gojën njërës prej grave. Pas publikimit të këtij regjistrimi, zoti Trump shkroi në Twitter: “Cili është ai avokat që regjistron fshehurazi klientin e vet? Sa gjë e trishtuar!”
Ish udhëheqësi i fushatës se presidentit Donald Trump, Paul Manafort, u gjet fajtor për tetë akuza për krime financiare, që shënon edhe fitoren e parë në një gjykim të ekipit të prokurorit të posaçëm, Robert Mueller.
Gjykatësi hodhi poshtë 10 akuza të tjera pasi që anëtarët e jurisë nuk arritën një vendim të njëzëshëm.
Juria shqyrtoi çështjen për katër ditë përpara se të shpallte vendimin në gjykatën federale në Aleksandri të Virxhinias.
Në procesin që zgjati dy javë, prokurorët thanë se Paul Manafort fshehu miliona dollarë në parajsa fiskale për të shmangur tatimet në SHBA.
Ata thanë se shumica e parave erdhën nga lobimi i bërë prej tij për ish-presidentin e rrëzuar të Ukrainës, Viktor Janukoviç përpara se t’i bashkohej fushatës zgjedhore të presidentit Trump në vitin 2016.
Mbrojtja e zotit Manafort nuk thirri në gjyq asnjë dëshmitar dhe tha se prokuroria nuk arriti të provojë mjaftueshëm fajësinë e tij.
Ky është procesi i parë i ndërmarrë nga ekipi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller në lidhje me hetimin e gjerë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë në një intervistë për Reuters se ai nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë, por që do ta konsideronte një gjë të tillë nëse Rusia do t’i jepte atij diçka që ai do në Ukrainë apo në Siri.
“Nuk jam duke e konsideruar këtë gjë fare. Jo. Do ta shqyrtoja këtë mundësi nëse ata (Rusia) do të bënin diçka të mirë për ne. Por, pa një gjë të tillë, unë nuk e konsiderojë një mundësi të tillë”, ka thënë Trump për Reuters.
Presidenti Trump sugjeroi disa zona ku ai mund të parashikonte se mund të arrinte një marrëveshje me Rusinë mbi sanksionet.
“Ne kemi shumë gjëera që mund të na bëjnë mirë për njëri-tjetrin. E keni rastin e Sirisë, Ukrainës”, u shpreh presidenti amerikan.
Dmitry Peskov ,zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin tha se Kremlini mirëpret komentet e Trumpit që tregonin gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me Moskën, por shtoi se do të “mirëprisnim ende më shumë veprimet konkrete”.
Trump gjatë kësaj interviste ka thënë se Putini nuk i ka kërkuar atij heqjen e sanksioneve, kur janë takuar në Helsinki muajin e kaluar. Por ai tha se në dy takimet private me presidentin rus, kanë biseduar për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia dhe për konfliktin në lindje të Ukrainës, gjithashtu edhe për tubacionin e gazit “Rrjedha Veriore2”, që kalon nga Rusia për në Gjermani.
“Sigurisht që e kam përmendur Krimenë. Gjithmonë kur e përmend Krimenë, e përmend edhe Ukrainën. Putini dhe unë kemi pasur bisedime të mira. Mendoj se ka qenë një bisedë e mirë për të dyja palët”, ka thënë presidenti Trump.
Sanksionet e para amerikane ndaj Rusisë janë vendosur pas aneksimit të Krimesë më 2014 dhe që atëherë, sanksionet janë zgjeruar, përfshirë këtu edhe për ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane, si dhe për sulmin e dyshuar me agjent nervor, ndaj një ish-spiuni rus në Britani.
SHBA-ja po ashtu ka kërcënuar se do të vendosë sanskione edhe për tubacionin “Rrjedha Veriore”, përmes së cilës do të rritej varshmëria e Gjermanisë dhe Evropës nga gazi natyror rus.
Shtetet e Bashkuara deportuan për në Gjermani bashkëpunëtorin e fundit të njohur nazist që jetonte në Amerikë, pas shumë vitesh presioni juridik, diplomatik dhe politik.
Prej dekadash, personi në fjalë Jakiw Palij jetonte në Queens të Nju Jorkut pas ardhjes në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se autoritetet e emigracionit e realizuan deportimin sot herët në mëngjes.
Është e paqartë se me çfarë procedurash ligjore mund të përballet në Gjermani 95-vjeçari Palij.
Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se “Deportimi i tij dërgon një mesazh të fortë: Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë ata që ndihmuan krimet naziste dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut. Ata nuk do të gjejnë strehë të sigurt në tokën amerikane”.
Kompania Microsoft ka njoftuar se janë penguar disa tentime ruse për të kryer sulme kibernetike kundër grupeve konservatore amerikane.
Kompania softuerike ka thënë se hakerët rusë kanë tentuar të vjedhin të dhëna nga organizatat politike, duke përfshirë Institutin Ndërkombëtar Republikan dhe Institutin Hudson.
Mirëpo ata kanë penguar tentimet kur stafi i sigurisë ka fituar kontrollin në faqet që kanë qenë duke imituar versionet origjinale të faqeve zyrtare.
Sipas Microsoftit, grupi Fancy Bear qëndron mbrapa tentimeve të dështuara për sulm.
“Ne jemi të shqetësuar se këto dhe tentime tjera përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe për grupe të lidhura me partitë politike amerikane që garojnë në zgjedhjet e vitit 2018”, është thënë në një deklaratë të Microsoftit në të cilën janë dhënë detaje të punës së tyre.
Sulmi i penguar kishte synim të niste fushatë mashtruese, përmes së cilës personat do të vizitonin faqet e rreme online dhe në këtë mënyrë Fancy Bear do të fitonte informacione të personave që kanë klikuar në ato linqe.
Përveç dy Instituteve të përmendura, adresat mashtruese kanë qenë të lidhura edhe me disa zyra të Senatit dhe shërbime tjera.
Gazeta New York Times ka raportuar se ka mundësi që dy Institutet e shënjestruara kanë qenë cek për shkak se më parë kanë qenë mbështetëse të presidentit Trump, mirëpo tani janë kundërshtare dhe kanë bërë thirrje për më shumë sanksione kundër Rusisë.