Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në NATO, Kay Bailey Hutchison, ka thënë se nëse është e nevojshme, SHBA do të shqyrtojë shkatërrimin e një sistemi raketor të Rusisë, që Uashingtoni beson se Moska po e zhvillon duke shkelur një traktat të armëve bërthamore.
Duke folur për gazetarët në Bruksel, ambasadorja Kay Bailey Hutchison i bëri thirrje Rusisë që të ndalë zhvillimin e sistemit, 9M729, i cili, sipas SHBA-së, shkel Traktatin e Forcave Bërthamore me rreze të mesme, të vitit 1987.
“Është koha për Rusinë që të vijë në tryezën e bisedimeve dhe t’i ndalojë shkeljet”, ka thënë Hutchison.
Nëse sistemi “është i gatshëm për përdorim”, ajo ka thënë se Shtetet e Bashkuara “do të shqyrtojnë kapacitetet për t’iu kundërvënë raketës e cila mund të godasë Evropën apo Amerikën”.
Rusia në anën tjetër ka mohuar ndonjë shkelje të traktatit, i cili ndalon raketat me rreze nga 500 deri në 5 500 kilometra.
FBI hapi hetime të reja rreth kandidatit për Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, Brett Kavanaugh.
Presidenti Donald Trump, urdhëroi hetimet me kërkesë të Komisioni Juridik i Senatit.
Just started, tonight, our 7th FBI investigation of Judge Brett Kavanaugh. He will someday be recognized as a truly great Justice of The United States Supreme Court!
Ai tha në një deklaratë se hetimet që pasojnë pretendimet për keqpërdorim seksual, duhet të jenë të kufizuara dhe të “përmbyllen në më pak se një javë”.
Vendimi paraqet një ndryshime në qasjen e administratës e cila kishte pohuar se Kavanaugh është “verifikuar”.
Më herët të premten, Komisioni Juridik i Senatit votoi pro kandidaturës së gjykatësit Kavanaugh, një hap që ia kalon kandidaturën e tij Senatit.
Komisioni votoi në vija partiake me 11 vota pro dhe 10 kundër. Vendimtare ishte vota e Senatorit republikan Jeff Flake, i cili votoi në krahun republikan, por kërkoi shtyrjen e votës nga Senati deri pas kryerjes së një procesi hetimor nga FBI-ja lidhur me akuzat për abuzime seksuale.
Votimi i së premtes pasoi një ditë dramatike. Gjykatësi Kavanaugh dhe akuzuesja e tij, Christinë Blasey Ford, dhanë dëshmi emocionale para senatorëve dhe para publikut amerikan që e ndoqi gjatë gjithë ditës seancën nga e cila varen vendime të rëndësishme për të ardhmen e procesit të konfirmimit të kandidatit të gjykatës së lartë.
Shoqata e Juristëve Amerikanë nxiti Komisionin Juridik dhe Senatin ta shtyjnë votimin që t’i japin kohë FBI-së që të bëjë një hetim të hollësishëm të figurës së gjykatësit Kavanaugh lidhur me pretendimet e tri grave kundër tij.
Profesorja e Universitetit të Palo Altos, Christine Blasey Ford dha një dëshmi emocionale para Komisionit Juridik të Senatit.
“Jam sot këtu sot, jo se kisha dëshirë të isha. Jam e tmerruar. Jam këtu sepse besoj se është detyra ime qytetare t’ju them se çfarë më ndodhi kur Brett Kavanaugh dhe unë ishim në shkollë të mesme”, tha ajo.
Ndërsa gjithë vendi shikonte, zonja Ford dha hollësi të sulmit seksual për të cilin ajo akuzon gjykatësin Kavanaugh dhe që ajo thotë se ndodhi kur ishin të dy adoleshentë në fillim të viteve 1980.
“Mendova se do të më përdhunonte. Thirra për ndihmë dhe kur e bëra këtë, Bretti ma zuri gojën me dorën e tij që të mos më lejonte të bërtisja. Kjo ishte gjëja që më tmerroi më shumë dhe që pati ndikimin më të gjatë në jetën time”.
Zonja Ford u tha senatorëve se është “100 për qind e sigurt” se zoti Kavanaugh ishte personi që e sulmoi ndërsa një nga shokët e tij shihte dhe u pyet se çfarë i kishte mbetur më shumë në kujtesë nga incidenti.
“E qeshura, e qeshura e bujshme e të dyve dhe fakti që po zbaviteshin në kurrizin tim”.
Pas dëshmisë së saj, kandidati për Gjykatën e Lartë, Kavanaugh doli para komisionit dhe dha një deklaratë emocionale dhe sfiduese, duke hedhur poshtë akuzat.
“Nuk po e diskutoj nëse Dr. Ford është sulmuar seksualisht nga dikush, diku, dikur. Por kurrë nuk kam bërë një gjë të tillë me të, ose me dikë tjetër. Nuk jam një person i tillë, nuk kam qenë kurrë person i tillë”.
Zoti Kavanaugh tha se emri i tij dhe familja e tij, “janë shkatërruar përgjithmonë” nga akuzat kundër tij dhe sulmoi me zemërim demokratët për atë që ai e quajti, fushatë shpifjesh, që ka si synim t’i mohojë vendin në Gjykatën e Lartë.
“E gjithë kjo përpjekje prej dy javësh ishte një goditje e përllogaritur dhe e orkestruar politike, e nxitur nga zemërimi për zgjedhjen e presidentit Trump në vitin 2016, një frikë që është provokuar padrejtësisht për historinë time juridike, hakmarrje në emër të Clintonëve dhe miliona dollarë nga grupe të jashtme të majta të opozitës”.
Zonja Ford është një nga disa gratë që janë ankuar për zotin Kavanaugh, disa prej të cilave publikisht, ndërsa disa kanë zgjedhur të mbeten anonime.
Senatori republikan, Lindsay Graham humbi qetësinë, duke akuzuar demokratët për një “farsë joetike”.
“Ju doni të shkatërroni jetën e këtij personi, ta mbani këtë vend në Gjykatë hapur dhe shpresoni të fitoni në vitin 2020. E keni thënë vetë. Kjo është farsa më joetike që kur kam hyrë unë në politikë”.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy që doli në pension.
Kavanaugh ka nevojë për të paktën 50 vota në senatin me 100 anëtarë për t’u konfirmuar. Nënpresidenti Mike Pence, mund të hedhë votën vendimtare nëse senati është i ndarë në mënyrë të barabartë. Nëse të gjithë demokratët votojnë kundër, dy republikanë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë që të bllokojnë konfirmimin e tij.
Në një zhvillim tjetër të premten, miku u gjykatësit Kavanaugh nga shkolla e mesme, Mark Judge, tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me FBI-në.
Ndërsa në Kongres Komisioni Juridik i Senatit dëgjonte dëshmitë e të emëruarit për Gjyaktën e Lartë Brett Kavanaugh dhe gruas që e akuzon atë për sulm seksual 36 vjet më parë, pati demonstrata me pjesëmarrjen e një numri të madh grash. Shumë prej tyre kishin dalë në mbështetje të akuzueses, profesores së universitetit, Christine Blasey Ford. Por ka edhe gra që mbështetin zotin Kavanaugh. Shumë njerëzve ky rast u kujton një incident të ngjashëm të vitit 1991, kur avokatja Anita Hill akuzoi për ngacmin seksual të emëruarin e atëhershëm për në Gjykatën e Lartë, Clarence Thomas.
Demonstruesit anti-Kavanaugh u mblodhën para Gjykatës së Lartë, me thirrje në mbështetje të gruas që e akuzoi Brett Kavanaugh-në për sulmin, që ajo thotë se i ndryshoi jetën. Republikanët kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e akuzave të zonjës Ford, që dolën shumë vjet pas sulmit që ajo thotë se ka ndodhur. Shumë gra thanë se protesta e tyre synon të ndryshojë kulturën e fajësimit të viktimës.
“Jemi këtu sepse duam t’u kujtojmë njerëzve se gratë e dinë se gratë nuk gënjejnë, por Kavanaugh ka gënjyer në çdo hap të procesit.”– tha Ilyse Hogue, e Ligës Kombëtare për të Drejtën e Abortit.
Por ka edhe gra që e mbështesnin Brett Kavanaugh-në. Një prej tyre akuzoi palën tjetër se i kishin paguar që të demonstronin.
“Dua që njerzit ta dine se protestuesit janë të paguar ose njerëz që punojnë për organizata që I paguajnë të protestojnë”, thotë Danielle Buck, e grupit “Gratë e Shqetësuara për Amerikën”.
Seanca e dëshmive të së enjtes të kujton rastin e vitit 1991 të Anita Hill-it, një avokate që akuzoi për ngacmin seksual të emëruarin e atëhershëm të Gjykatës së Lartë, Clarence Thomas. Mohimet nga zoti Thomas u pranuan dhe kandidatura e tij u miratua. Këngëtarja dhe aktorja e Hollivudit Barbra Streisand, thotë se marrja në pyetje e të dyja grave ishte e padrejtë.
“Burrat nuk kanë prirjen t’i besojnë gratë dhe kjo është e frikshme. Ky rast nuk është shumë i ndryshëm nga ai i Anita Hillit në vitin 1991: kujtoj mirë që ishim të gozhduar para televizionit dhe thonim; “O zot, çfarë po i bëjnë këta burra bërë kësaj gruaje?”– tha këngëtarja dhe aktorja Barbara Streisand.
Disa analistë thonë se rasti i zonjës Hill nuk ka ndikuar shumë në politikën amerikane.
“Ne nuk kemi mësuar asgjë sepse vazhdojmë të jemi në një pozitë, kur sjellim të dëshmojnë një burrë dhe një grua, pa dëshmitarë të tjerë, kur koha është e kufizuar dhe përpiqemi ta zgjidhim problemin në këtë mënyrë.”– thotë Leigh Goodmark, profesor i juridikut në Universitetin e Merilendit.
Por diskutimet në publik dhe ato private për sulmet seksuale kanë ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1991. Vëzhguesit thonë se sot flitet shumë më tepër për ndikimin e një eksperience traumatike në jetën e njerëzve dhe për arsyet përse shumë gra nuk flasin për to. Analistët thonë se ndarjet politike në vend janë më të thella se kurrë dhe kjo është arsyeja që përkrahësit e zotit Kavanaugh, qofshin gra, apo burra, nuk do të ndikohen nga dëshmia e zonjës Ford.
Kandidati për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh i mohoi me forcë akuzat, që kishte ngritur ndaj tij, Christine Blasey Ford-i, se ai e kishte sulmuar atë seksualisht gjatë një mbrëmjeje në vitin 1982, kur të dy ishin në shkollë të mesme.
“Kurrë nuk kam kryer sulm seksual ndaj dikujt, as në shkollë të mesme, as në universitet, asnjëherë”, u shpreh kandidati Kavanaugh gjatë dëshmisë para Komisionit Juridik të Senatit. “Kurrë nuk kam bërë një gjë të tillë me të, ose me dikë tjetër”.
Disa orë para tij, në dëshminë e saj para Komisionit Juridik, zonja Ford kishte theksuar se ishte “100 për qind” e sigurtë, se Kavanaugh dhe shoku i tij, Mark Judge, të dy të dehur, ishin ata që e kishin mbyllur në një dhomë gjumi dhe se Kavanaugh i kishte kërcyer sipër, duke u fërkuar pas trupit të saj, duke e kapur gjithandej dhe duke i mbyllur gojën me dorë, kur ajo thirri për ndihmë.
Kandidati Kavanaugh, që aktualisht është anëtar i Gjykatës së Apelit për Distriktin e Kolumbias, u tha senatorëve se ai nuk kishte qënë i pranishëm në ndonjë mbrëmje të tillë. Ai i akuzoi Demokratët se kishin organizuar një sulm të llogaritur për synime politike dhe në mënyrën më të ulët, sulmuan karakterin e tij.
Zoti Kavanaugh tha se ai nuk do t’u nënshtrohej kërcënimeve dhe nuk do të tërhiqej.
Dëshmia e zonjës Ford
E para që dëshmoi sot ishte zonja Ford, e cila tha se gjatë incidentit, që ajo pretendon se ndodhi në vitin 1982, ajo kishte patur frikë se ai “mund ta kishte vrarë aksidentalisht”.
Ajo theksoi se çfarë i kishte mbetur në kujtesë mbi të gjitha, ishte “e qeshura me zë të lartë” gjatë incidentit, e Kavanaugh-it dhe Judge-it, si dhe fakti që ata, siç u shpreh ajo, “po kënaqeshin në kurriz të saj”.
Senatorët Demokratë e përshëndetën në mënyrë të përsëritur zonjën Ford për kurajon për të folur. Më pas ata e pyetën vazhdimisht zotin Kavanaugh për zakonin e tij për të pirë dhe i kërkuan disa herë që të kërkojë hetime nga FBI-ja, ashtu siç kanë kërkuar ata, për akuzat e ngritura ndaj tij, por zoti Kavanaugh nuk pranoi të kërkojë hetime.
Rachel Mitchell, me profesion prokurore, ishte ftuar nga senatorët republikanë që t’i drejtonte pyetjet zonjës Ford në emër të tyre, për të shmangur imazhin që një grup senatorësh burra të bardhë po merrnin në pyetje një grua, që ka ngritur akuza se është sulmuar seksualisht. Ajo e pyeti zonjën Ford rreth rrethanave të incidentit, por nuk iu kundërvu akuzës kryesore të saj për sulm seksual.
Reagimi i Senatorëve
Dëshmia e zotit Kavanaugh u prit me simpati nga senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, i cili dukshëm i nervozuar, tha se kandidati ishte bërë viktimë e një fabrikimi politikisht të motivuar.
“Ju prisni një proces të drejtë konfirmimi?” iu drejtua senatori Graham kandidatit Kavanaugh. “Keni ardhur në qytetin e gabuar, në kohën e gabuar, miku im”, shtoi ai.
Më parë, senatorja demokrate nga Kalifornia, Kamala Harris, kishte shprehur të njejtën mbështetje për zonjën Ford: “Unë ju besoj, ashtu siç ju besojnë dhe shumë amerikanë”.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë Anthony Kennedy, i cili shpesh e bashkonte votën e tij me anëtarët më liberalë të Gjykatës. Trupi më i lartë gjyqësor i vendit përbëhet nga 9 anëtarë, të ndarë në 4 liberalë, 4 konservatorë dhe gjykatësi Kennedy në mes. Nëse kandidatura e zotit Kavanaugh konfirmohet, ai do të konsolidonte grupin konservator duke ju dhënë atyre votën vendimtare 5 me 4. Anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë mandat të përjetshëm.
Akuzuesja e parë e Gjykatësit Brett Kavanaugh dha një dëshmi plot emocione dhe hollësi të enjten para Komisionit Juridik të Senatit. Christine Blasey Ford u shpreh se ishte “100% e sigurtë” se personi që e kishte sulmuar në 1982 ishte Kavanaugh, aktualisht i emëruar nga Presidenti Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë. Zonja Ford tha se kishte frikë se ai do ta vriste aksidentalisht gjatë incidentit, kur ajo tha se ai e sulmoi seksualisht dhe po përpiqej ta përdhunonte.
Christine Blasey Ford ofroi hollësi të një mbrëmjeje rinore ku ajo kishte marrë pjesë bashkë me zotin Kavanaugh, atëherë 17-vjeç, me shokun e tij të fëmijërisë, Mark Judge dhe të tjerë.
“Nuk i kam të gjitha përgjigjet dhe nuk mbaj mend aq shumë sa do të doja por detajet e asaj nate që më sjellin këtu sot, janë ato që nuk do t’i harroj kurrë. Ato janë ngulitur në kujtesën time dhe më kanë ndjekur si fantazëm herë pas here në jetën time.
Kur arrita, ata që ishin aty po pinin birrë në një dhomë të vogël ndenjieje, në katin e parë të shtëpisë. Piva një birrë. Brett dhe Mark ishin dukshëm të dehur, tha zonja Ford duke iu referuar gjykatësit Kavanaugh dhe shokut të tij Mark Judge.
Herët në mbrëmje, u ngjita nëpër shkallët shumë të ngushta që të çonin në katin e dytë, që të shkoja në banjë. Kur u ngjita lart, më shtynë në një dhomë gjumi, përballë banjës. Nuk e pashë dot se kush më shtyu. Bretti dhe Marku hynë në dhomë dhe mbyllën derën pas tyre.
Në dhomë dëgjohej muzikë dhe iu ngrit zëri më shumë ose nga Bretti ose nga Marku, kur ishim në dhomë. Më shtynë në krevate dhe Bretti hipi sipër meje. Ai filloi të më prekte me duar në trup dhe të fërkohej me mua.
Unë bërtita, me shpresën që dikush në katin e poshtëm do të më dëgjonte dhe u përpoqa t’i shpëtoja por ai ishte i rëndë. Bretti më preku në mënyrë të papërshtatshme dhe u përpoq të më zhvishte. Po kishte vështirësi sepse ishte shumë i dehur dhe sepse kisha veshur një kostum banje me trup nën rroba.
Mendova se do të më përdhunonte. Thirra për ndihmë dhe kur e bëra këtë, Bretti ma zuri gojën me dorën e tij që të më frenonte të mos bërtisja. Kjo ishte gjëja që më tmerroi më shumë dhe që pati ndikimin më të gjatë në jetën time. Mezi po merrja frymë dhe mendova se Bretti do të më vriste pa dashje. Si Bretti dhe Marku po qeshnin të dehur gjatë sulmit. Ata dukeshin se po zbaviteshin.
Marku dukej me dy mendje, ndonjëherë duke e nxitur Brettin, dhe herë të tjera duke i thënë që të ndalej. Nja dy herë e pashë Markun në sy dhe mendoja se ndoshta do të përpiqej të më ndihmonte, por ai nuk e bëri.
Gjatë këtij sulmi, Marku erdhi dhe u hodh dy herë mbi krevat, ndërsa Bretti ishte mbi mua. Herën e fundit që e bëri këtë, u rrëzuam dhe Bretti nuk ishte më mbi mua.
Unë arrita të çohem dhe të dal nga dhoma. Përballë dhomës ishte një banjë e vogël. Vrapova brenda saj dhe mbylla derën”.
Kryetari i Komisionit Juridik, Senatori Chuck Grassley e hapi seancën, duke i dalë në mbrojtje të emëruarit për Gjykatën e Lartë dhe duke fajësuar demokratët, që nuk i kishin bërë të ditura akuzat që më parë.
Gjykatësi Brett Kavanaugh, i cili dëshmon të enjten pasdite, në një deklaratë të përgatitur për këtë seancë i hedh poshtë me forcë akuzat e zonjës Ford si dhe grave të tjera për sjellje të parregullta, apo sulme seksuale, duke i quajtur si përpjekje të pashpresa për të njollosur figurën e tij. Ai tha se nëse lejohen fushata të tilla për të njollosur figurën e dikujt, asnjë person kompetent nuk do të ketë guximin t’i shërbejë vendit.
Kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh dhe gruaja që e ka akuzuar se e ka sulmuar seksualisht kur të dy ishin adoleshentë, dëshmojnë të enjten në një seancë në Senat që mund të përcaktojë balancën e organizmit më të lartë juridik të vendit.
Christine Blasey Ford paraqiti versionin e saj të incidentit që ajo thotë se ka ndodhur, sipas së cilit, Kavanaugh e sulmoi gjatë një feste kur të dy ishin në shkollë të mesme. Në një deklaratë të përgatitur paraprakisht që u bënë publike të mërkurën, zonja Ford jep detaje për incidentin e verës së vitit 1982, ku ajo thotë se zoti Kavanaugh i dehur dhe shoku i tij, Mark Judge, e futën me forcë në një dhomë, e kyçën derën dhe e sulmuan. Në deklaratë ajo thotë se ishte shumë e frikësuar dhe turpëruar t’i tregonte njeriu dhe nuk dha detaje të incidentit deri shumë vite më pas, kur i tregoi bashkëshortit të saj dhe foli për to në seanca terapie.
Edhe zoti Kavanaugh, që do të shfaqet veçmas para Komisionit Juridik të Senatit, bëri publik tekstin e deklaratës së tij hapëse. Ai mohoi me force sulmin për të cilin e akuzon zonja Ford dhe akuzat nga persona të tjerë, duke i cilësuar si shpifje të minutës së fundit. Ai tha se goditje të tilla ndaj karakterit, nëse lejohen të arrijnë qëllimin do të shkurajojnë njerëz të zotë dhe të mirë nga të gjitha bindjet politike, që t’i shërbejnë vendit dhe shtoi se nuk do të binte pre e friksë dhe të tërhiqej nga procesi i konfirmimit.
Konfirmimi i Gjykatësit Kavanaugh mund të ndryshojë balancën në Gjykatën e Lartë
Debati për procesin e emërimit të zotit Kavanaugh, vjen vetëm disa javë para zgjedhjeve të 6 nëntorit, ku demokratët po përpiqen të marrin kontrollin e Kongresit. Presidenti Donald Trump zgjodhi gjykatësin Kavanaugh për të zëvendësuar anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy, i cili shpesh hidhte votën vendimtare dhe merrte anën e anëtarëve liberale për çështje kyçe. Konfirmimi i zotit Kavanaugh mund të konsolidojë shumicën konservatore në gjykatë për vite me radhë.
Të mërkurën, Presidenti Trump pretendoi se kishte një përpjekje të koordinuar nga demokratët për t’i ekzagjeruar akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale kundër zotit Kavanaugh.
“Në fakt ata po bëjnë lojra, sepse ata e dinë se çfarë njeriu i mirë është ai dhe kanë shkatërruar reputacionin e një personi duan ta shkatërrojnë edhe më shumë dhe mendoj se do ta shohin në zgjedhjet e nëntorit se çfarë i kanë bërë familjes së tij, fëmijëve të tij të bukur dhe gruas së tij. E dine shumë mirë që kjo është një sajesë e madhe”, tha zoti Trump.
Presidenti i bëri komentet në një konferencë për shtyp prej 90 minutash pas takimeve me udhëheqës botërorë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
Akuza nga pesë gra
Katër gra të tjera kanë dalë ditët e fundit me ankesa të detajuara kundër zotit Kavanaugh. Ai i ka mohuar akuzat.
Të mërkurën në mbrëmje, NBC News njoftoi se një ankesë anonime I ishte dërguar senatorit republikan, Cory Gardner të Kolorados. Gruaja që e kishte dërguar, thoshte se në vitin 1998, ajo dhe vajza e saj kishin dalë me zotin Kavanaugh dhe disa miq, kur ai “e shtyu një shoqe të saj pas murit në mënyrë shumë agresive dhe seksuale”.
Sipas njoftimeve të medias, zoti Kavanaugh u mor në pyetje të martën gjatë një telefonate me këshilltarë të Komisionit Juridik lidhur me akuzën se ai kishte sulmuar seksualisht një grua në Rhode Island në mes të viteve 1980.
Zyra e senatorit demokrat të këtij shteti, Sheldon Whitehouse kishte marrë një telefonatë të martën në mëngjes “ku bëheshin akuza lidhur me një përdhunim në një varkë në gusht të vitit 1985”, sipas tekstit të zbardhur të bisedës mes këshilltarëve dhe zotit Kavanaugh që iu dha medias të mërkurën. Zoti Kavanaugh i mohon akuzat.
Presidenti Trump tha se do ta ndiqte seancën e së enjtes, e cila pritet të jetë e bujshme, dhe se edhe mund të ndryshonte mendim për kandidatin e tij, pasi të dëgjojë dëshminë e profesores Ford.
“Është e mundur që ta dëgjoj dhe të them ‘hej, më ndryshoi mendja’. Nuk mund t’ju them. Duhet të pres deri nesër”, tha zoti Trump.
I pyetur nëse e kaluara e tij me gra të shumta që e janë akuzuar për sulme seksuale, ka ndikuar se si ai i sheh akuzat kundër zotit Kavanaugh, presidenti tha se ai e kupton se ç’do të thotë të akuzohesh pa të drejtë dhe sugjeroi se zoti Kavanaugh po konsiderohej “fajtor deri kur të vërtetohej që ishte i pafajshëm”.
“Kjo është përtej Gjykatës së Lartë. Kjo ka të bëjë me vendin tonë. Kur konsiderohesh fajtor deri kur vërtetohet që je i pafajshëm, nuk duhet të jetë ashtu…Në këtë rast, je fajtor derisa të provohet që je i pafajshëm. Mendoj se është një standard shumë i rrezikshëm për vendin”, tha Presidenti Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të kryesojë sot një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në lidhje me mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.
Kjo është vetëm hera e tretë që një udhëheqës amerikan kryeson një mbledhje të tillë.
Të martën, Trump, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i akuzoi udhëheqësit e Iranit për “kaos, vdekje dhe shkatërrim”.
Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, e përshkroi SHBA-në si “keqtrajtuese”.
Irani nuk është anëtar i Këshillit të Sigurimit, por Rohani pritet të mbajë konferencë për media pas takimit.
Sesioni i sotëm nuk do të fokusohet në asnjë vend të caktuar, por do t’iu mundësojë udhëheqësve të pranishëm botërorë të shprehin pikëpamjet e tyre mbi mënyrat e trajtimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Megjithatë, në një postim të mëhershëm në Twitter, Trump ka thënë se do të “kryesojë takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Iranin”.
I will Chair the United Nations Security Council meeting on Iran next week!
Agjencia kryesore e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin për të eliminuar të ashtu-quajturat “boshlleqe të inteligjencës” dhe për të trajtuar kërcënimin në rritje nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.
Drejtoresha e CIA-s Gina Haspel të hënën e quajti zhvendosjen nga kundërterrorizmi tek spiunazhi më tradicional ndaj shteteve, “një prioritet strategjik”, duke thënë se nevoja për të patur një zbulim më të mirë ndaj rivalëve aktualë dhe potencialë të Shteteve të Bashkuara është ndër “çështjet më të vështira” .
“Ne po e përqëndrojmë vëmendjen tek vendet kundërshtare”, tha zonja Haspel përpara një audience në Universitetin “Louisville”, në paraqitjen e saj të parë publike, që kur u betua si drejtoreshë e CIA-s majin e kaluar.
Haspel tha gjithashtu se ajo synon “rritjen e numrit të oficerëve të vendosur jashtë vendit”.
“Duke pasur një prani më të madhe të huaj do të kemi një pozicion më të fuqishëm,” tha ajo.
Si pjesë e kësaj shtyse, zonja Haspel tha se CIA shpreson të rekrutojë më shumë folës të gjuhëve të huaja, përfshirë ata që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze, arabe, farsi, turqisht, frëngjisht dhe spanjisht.
Ajo tha gjithashtu se agjencia e spiunazhit “po punon më ngushtë se kurrë me aleatët në të gjithë botën”.
Komentet e zonjës Haspel pasqyrojnë përparësitë e paraqitura në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parashtruar në fund të vitit të kaluar. Strategjia thekson nevojën për t’iu kundërvënë përpjekjeve të rivalëve të Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ekuilibrin e fuqisë në rangun global në forma që kanë ndikuar negativisht Shtetet e Bashkuara.
Drejtoresha e CIA-s shprehu shqetësime të veçanta lidhur me Kinën, e cila tha ajo, është “duke punuar për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të avancojë qëllimet e saj”. “Ne po e vëzhgojmë shumë nga afër veprime që duket se merren me synimin për të zgjeruar ndikimin e Kinës përtej rajonit të saj, në zona si Afrika, Amerika Latine, ishujt e Paqësorit, dhe Azinë Jugore”, tha zonja Haspel.”Ne jemi të shqetësuar nga disa prej taktikave që po përdor Pekini, duke u ofruar vendeve të varfra, investimeve dhe kredi që ndoshta ato vende nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë”, tha zonja Haspel. “Ne duam që këto vende të jenë të vetëdijshme për kanosjen ndaj sovranitetit të tyre dhe sesi investimet e huaja për projekte infrastrukture apo të sigurisë kombëtare në këto vende mund të venë në rrezik sovranitetin e tyre”.
Përparësitë e CIA-s
Zonja Haspel parashtroi edhe disa përparësi të tjera të agjencisë:
Diversiteti: Zonja Haspel tha se kur filloi punë në CIA në fund të viteve 1980, ajo “ishte një organizatë plotësisht e dominuar nga meshkujt”.
“Nuk duhet të jetë e habitshme që një nga përparësitë e mia kryesore që kur u bëra drejtoreshë ka qenë të luftoj për diversitet dhe gjithëpërfshirje në organizatë,” tha ajo. “Misioni ynë global në CIA kërkon që ne të rekrutojmë dhe të mbajmë më të mirët dhe më të zgjuarit e Amerikës, pavarësisht nga gjinia, raca apo origjina kulturore”.
Droga: “CIA do të investojë më shumë në përpjekjet kundër narkotikëve jashtë vendit”, tha zonja Haspel, duke e quajtur epideminë e opioideve një kërcënim “që ka vrarë më shumë amerikanë sesa çdo grup terrorist”.
Irani: Zonja Haspel e cilësoi si “befasuese” sasinë e fondeve që Teherani vazhdon të shpenzojë për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad, për të zgjeruar ndikimin e saj në Bagdad dhe për të mbështetur Houthitë në Jemen, duke pasur parasysh të vështirësitë ekonomike të Iranit.
“Ne jemi duke parë shumë nga afër, aktivitetin keqdashës të Iranit në rajon. Dhe ne do të dëshironim t’i kundërviheshim kësaj veprimtarie, në mënyrë që këto vende të mund të ndërtojnë vetë kursin e tyre “, shtoi ajo.
Transparenca: “Asgjë nuk është më e rëndësishme për ne në CIA sesa detyra jonë për të fituar besimin e qytetarëve tanë,” tha zonja Haspel. “Nuk ekziston asnjë agjenci tjetër e madhe e zbulimit në botë që i nënshtrohet një sistemi mbikqyrës më të gjithanshëm sesa ne, por pikërisht kështu duhet të jetë”, tha zonja Haspel.
Para konfirmimit të saj si drejtoreshë e CIA-s, zonja Haspel ishte kritikuar ashpër për rolin e saj në mbikëqyrjen e një qendre sekrete për marrjen në pyetje të personave të dyshuar në Tajlandë dhe shkatërrimin e kasetave të seancave të marrjes në pyetje.
Gjendja Morale: “CIA ka një personel shumë dinamik; nga natyra ne jemi jashtëzakonisht të përqëndruar në misionin tonë,” tha zonja Haspel. “Në përgjithësi ne nuk u kushtojmë vëmendje përplasjeve politike në kryeqytet”.
Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër Iranin në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, duke ripërsëritur se vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrëveshja ndërkombëtare për Iranin, ishte i drejtë. Presidenti Trump rikonfirmoi gjithashtu me forcë qëndrimin e tij në favor të sovranitetit dhe kundër pakteve ndërkombëtare që sipas tij janë në dizavantazh të Shteteve të Bashkuara. Ai foli për çështjen e tarifave si dhe vlerësoi arritjet e administratës së tij.
Presidenti Trump, denoncoi “regjimin brutal” të Iranit dhe udhëheqësve të tij që ai tha se nuk respektojnë kufijtë apo sovranitetin e vendeve të tjera.
“Muajin e fundit, ne filluam të modifikojmë sanksionet e forta që ishin hequr në bazë të marrëveshjes për Iranin dhe do të vendosim sanksione të reja”.
Ai u kërkoi vendeve të tjera të bashkëpunojnë për të izoluar Iranin dhe regjimin e tij.
Zoti Trump tha se në më pak se dy vjet administrata e tij ka realizuar më shumë se pothuajse “çdo administratë në historinë e vendit tonë”.
“Shtetet e Bashkuara janë më të forta, më të sigurta dhe më të pasura se sa ishin kur unë mora detyrën më pak se dy vjet më parë”, tha ai.
Nga arritjet ai përmendi përmirësimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut dhe dobësimin e ISIS-it.
Por Presidenti Trump, ripërsëriti vizionit e tij për të vendosur patriotizimin, mbi globalizmin, duke goditur me forcë organizma si Organizata Botërore e Tregëtisë dhe OPAC-un dhe duke denoncuar tarifat e pafavorshme.
“Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera luajnë sipas rregullave. Këto vende përdorin planifikimin industrial të menaxhuar nga qeveria dhe ndërmarrje shtetërore për ta manipuluar sistemin në favor të tyre”, tha ai.
Ai vlerësoi rëndësinë e Kombeve të Bashkuara, por tha se SHBA nuk do të kontribuojë më shumë se 25 përqind në buxhetin paqeruajtës së OKB-së. Gjatë gjithë fjalimin, Presidenti Trump përsëriti tema që përputhen me vizionit e tij me fokus tek Amerika, duke e vendosur theksin tek sovraniteti dhe interesat e amerikanëve.
Brett Kavanaugh, i emëruar nga Presidenti Trump për anëtar të Gjykatës së Lartë, thotë për kanalin Fox News se nuk ka në plan të tërheqë kandidaturën megjithë akuzat që kanë dalë ndaj tij për abuzime seksuale. Ai tha se kërkon një proces të drejtë. Ndërkaq, ligjvënës demokratë e republikanë janë mbërthyer në polemika mbi mënyrën më të mirë për të trajtuar akuzat.
Brett Kavanaugh, i emëruar i Presidentit Trump për anëtar i Gjykatës së Lartë, po u kundërpërgjigjet akuzave për abuzime seksuale. Ai tha dje në një intervistë për kanalin Fox News se nuk ka plan të tërheqë kandidaturën:
“Nuk do të lejoj që akuza fallso të më nxjerrin nga procesi”.
Emërimi i Gjykatësit Kavanaugh u vu në rrezik kur Christine Blasey Ford e akuzoi se ai e kishte sulmuar seksualisht kur ishin adoleshentë në shkollë të mesme. Një tjetër grua e ka akuzuar gjykatësin se i doli para duke ekspozuar organet intime kur ishin studentë në Universitetin Yale.
Zoti Kavanaugh i ka hedhur poshtë akuzat. Në një letër në adresë të anëtarëve të lartë të Kongresit ai shkruan se akuzat janë përpjekje për t’i dëmtuar reputacionin:
“Nuk kam sulmuar askënd seksualisht, as në shkollë të mesme, as kurrë”.
Edhe Presidenti Trump i doli në mbrojtje të emëruarit të tij, me komente tek selia e OKB:
“Gjykatësi Kavanaugh është njeri i jashtëzakonshëm. E mbështes deri në fund”.
Ndërkaq në Uashington, policia arrestoi protestues kundër kandidaturës së Gjykatësit Kavanaugh. Jehona e protestave të tyre kumbonte në hollet e Kongresit.
Republikanë me peshë i kanë cilësuar akuzat si pjesë e një fushate të demokratëve për të njollosur figurën e zotit Kavanaugh.
“Demokratët e Senatit dhe aleatët e tyre po përpiqen të shkatërrojnë jetën dhe karrierën e një individi mbi bazën e akuzave që lidhen me një akt të pavërtetuar prej dekadash më parë,” thotë Mitch McConnell, Udhëheqës i republikanëve në Senat.
Ndërkaq, demokratët kanë kërkuar shtyrje të procesit deri në zhvillimin e një hetimi të plotë mbi akuzat.
“Në këtë moment duket se procesi po ngecën,” tha senatori demokrat Richard Blumenthal.
Akuzuesja e zotit Kavanaugh pritet të dëshmojë para senatorëve të enjten. Po atë ditë dëshmon edhe vetë zoti Kavanaugh. Nëse konfirmohet si anëtar i Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh do ta forconte për dekada me radhë krahun konservator në këtë institucion.
Në një lëvizje të paparashikuar, stilisti amerikan Michael Kors ka blerë këtë martë një nga kompanitë më të mëdha të modes në botë, Versacen për një shumë marramendëse, 2.12 miliard dollarësh. Themeluar në vitin 1978 nga një prej njerëzvë më të talentuar në fushë e modes, Italiani Gianni Versace, kjo firmë do të shndërrohej shumë shpejt në ikonën e industrisë së veshjeve duke frymëzuar edhe kompani të tjera nderkombëtare të modës.
“Ky është një moment shumë emocionues për Versace”, deklaroi Donatella Versace në një deklaratë. “Ka qenë më shumë se 20 vjet që kur e mora kompaninë së bashku me vëllain tim Santo dhe vajzën Allegra. Jam krenare që Versace mbetet shumë e fortë në kulturën moderne. Versace nuk është vetëm sinonim me stilin e saj të pagabueshëm, por me përfshirjen dhe përqafimin e diversitetit, si dhe fuqizimin e njerëzve për të shprehur veten.
Ndërkohë Michael Kors është stilist amerikan me origjine hebre i cili ka revolucionarizuar modën në Shtetet e Bashkuara duke u shndërruar në një nga emrat më të suksesshëm.
Sot fillon një seancë dëgjimore dy-ditore pas së cilës do të jepet dënimi për komedianin e njohur amerikan, Bill Cosby. Cosby u gjet fajtor për tre akuza në prill për drogimin dhe ngacmimin e një gruaje në vitin 2004. Secila akuzë bart një dënim maksimal prej 10 vjetësh. Rasti Cosby është përshëndetur si një moment historik në lëvizjen MeToo e cila ka çuar në rënien e shumë figurave të spikatura, të ekspozuara për sjellje të pahijshme seksuale.
Ikona e televizionit amerikan, Bill Cosby kthehet në gjykatë të hënën për një seancë që mund të përcaktojë se ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës.
Dikur i njohur si “babai i Amerikës”, komediani përballet me dënimin për drogimin dhe përdhunimin e një gruaje në vitin 2004.
“Nuk është e paimagjinueshme që gjyqtari ta dënojë atë me burg dhe të urdhërojë që ai t’u dorëzohet menjëherë nëpunësve të burgut në atë seancë”, thotë avokatja Areva Martin.
Dhe burgu është ai që dëshirojnë për të shumë nga 60 gratë që thonë se Cosby gjithashtu i ka droguar dhe i ka ngacmuar disa dekada më parë.
“Me të vërtetë mendoj se është e rëndësishme që ai të kalojë ca kohë pas hekurave. Ai ka kryer aktin, është dënuar për të dhe ai duhet të bëjë dënimin si gjithë të tjerët”, thotë Lise-Lotte Lublin, një nga akuzueset e Cosby-it.
“Udhëzimet kërkojnë shumë më pak. Është e mundur që ai të kalojë një deri në katër vjet burg. Sipas ligjit të Pensilvanisë, shpesh këto akuza janë të kombinuara në një akuzë të vetme për qëllime dënimi”, thotë Mike Sesak, gazetar i Associated Press.
Cosby është personi i parë i famshëm që dënohet në epokën e lëvizjes #metoo. Lëvizja ka ekspozuar shumë ngacmues seksualë të profilit të lartë në botën e politikës, argëtimit dhe atë të lajmeve.
“Lutem që të dënohet 30 vjet. Ai meriton çdo vit. Ne të gjitha kemi vuajtur shumë, e ngritëm zërin për shumë gra dhe ai duhet të kryejë dënimin maksimal”, thotë Chelan Lasha, akuzuese e Cosby-it.
Gloria Allred, avokatja që përfaqëson dhjetëra akuzuese të Cosby-it, thotë se gjykata duhet të dërgojë një mesazh me dënimin që do të marrë.
“Është koha që ai të përballet me pasojat e veprimeve të tij kriminale”.
Cosby ka pohuar se takimet e tij me gratë kanë qenë konsensuale. Ekipi i tij i mbrojtjes pritet ta apelojë vendimin.
Vetëm disa orë pasi Christine Blasey Ford kishte pranuar të dëshmojë para Komitetit të Senatit rreth akuzave që ka bërë kundër Brett Kavanaugh, të nominuarit të presidentit amerikan, Donald Trump për Gjykatën Supreme, një tjetër grua ka nisur akuza shtesë kundër gjykatësit.
Më 23 shtator, avokatët e Ford kanë thënë se ajo është pajtuar të dëshmojë para Komitetit Gjyqësor të Senatit më 27 shtator.
Ford, 51 vjeçare, ka akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale kur ajo ka qenë 15 vjeçare dhe gjykatësi 17 vjeçar.
Kavanaugh në anën tjetër i kundërshton të gjitha akuzat.
Këto akuza kanë kthyer në situatë tensionuese procesin e emërimit të Kavanaugh si gjykatës në Gjykatën Supreme, pasi Komiteti Gjykësor i Senatit ka shtyrë votimin për nominimin e tij, pas akuzave të Fordit një javë më parë.
Ndërkohë më 23 shtator, mediat amerikane kanë raportuar se një tjetër grua ka akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale.
Në raportimet filletare, The New Yorker ka thënë se Deborah Ramirez, 53 vjeçare, ka akuzuar gjykatësin për sjellje të keqe gjatë një feste në Universitetin Yale në vitet 1980.
Disa demokratë kanë kërkuar që të shtyhet seanca e planifikuar për 27 mars, derisa supozimet e reja të hetohen.
Christine Blasey Ford kishte pranuar të dëshmojë para Komitetit të Senatit rreth akuzave që ka bërë kundër Brett Kavanaugh, të nominuarit të presidentit amerikan, Donald Trump për Gjykatën Supreme, një tjetër grua ka nisur akuza shtesë kundër gjykatësit.
Më 23 shtator, avokatët e Ford kanë thënë se ajo është pajtuar të dëshmojë para Komitetit Gjyqësor të Senatit më 27 shtator.
Ford, 51 vjeçare, ka akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale kur ajo ka qenë 15 vjeçare dhe gjykatësi 17 vjeçar.
Kavanaugh në anën tjetër i kundërshton të gjitha akuzat.
Këto akuza kanë kthyer në situatë tensionuese procesin e emërimit të Kavanaugh si gjykatës në Gjykatën Supreme, pasi Komiteti Gjyqësor i Senatit ka shtyrë votimin për nominimin e tij, pas akuzave të Fordit një javë më parë.
Ndërkohë më 23 shtator, mediat amerikane kanë raportuar se një tjetër grua ka akuzuar Kavanaugh për sjellje të keqe seksuale.
Në raportimet filletare, The New Yorker ka thënë se Deborah Ramirez, 53 vjeçare, ka akuzuar gjykatësin për sjellje të keqe gjatë një feste në Universitetin Yale në vitet 1980.
Disa demokratë kanë kërkuar që të shtyhet seanca e planifikuar për 27 mars, derisa supozimet e reja të hetohen.
Christine Blasey Ford, gruaja që e akuzon të emëruarin e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, për sulm seksual, ka pranuar të dëshmojë para Senatit për këtë çështje javën e ardhshme.
Kreu i Komisionit Juridik të Senatit, republikani Chuck Grassley, të premten i dha më tepër kohë zonjës Ford, që ajo të merrte një vendim në se do të dëshmonte para Senatit për këtë çështje.
Christine Blasey Ford, e ka akuzuar zotin Kavanaugh për sulm seksual, kur ata ishin të dy adoleshentë në vitet 1980. Kavanaugh i ka mohuar akuzat.
Republikanët duan të dëgjojnë nga profesorja Ford dhe kandidati Kavanaugh rreth sulmit seksual të supozuar.
Lojë politike?
Por ata ndjejnë gjithashtu një lojë politike të demokratëve, tha senatori Mitch McConnell.
“Demokratja numër dy e Komisionit Juridik e dinte prej kohe çështjen, por e nxorri atë pikërisht tani. Është shumë e qartë se kjo u bë e gjitha për vonimin e procesit”.
Për shumë njerëz, beteja për çështjen Kavanaugh është një tjetër kapitull që tregon se si polarizimi i politikës po paralizon Uashingtonin.
Ja ç’thotë analisti konservator Jamil Jaffer.
“Kjo është për të ardhur keq, sepse Gjykata e Lartë duhet të jetë imune ndaj këtyre gjërave. Ne duhet të konfirmojmë si anëtarë të saj njerëz që marrin 90 vota e lart në Senatin me 100 vende dhe t’i lemë të bëjnë punën, pra të mos vendosin politikisht por në bazë të ligjit.”
Qëndrimi i Presidentit Trump
Presidenti Trump e vuri në pikëpyetje integritetin e zonjës Ford që akuzon për një sulm seksual disa dekada më parë kandidatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh.
Në një postim të bërë të premten në Twitter, zoti Trump shkruante se “nëse sulmi do të kishte qenë aq i rëndë sa e përshkruan ajo, akuzat do t’i ishin paraqitur menjëherë policisë”. Gruaja në fjalë, Christine Blasey Ford, thotë se Kavanaugh e ka sulmuar seksualisht 36 vjet më parë gjatë një feste në një shtëpi.
Presidenti Trump akuzoi gjithashtu “politikanët radikalë të krahut të majtë”, siç i quajti ai, që sulmojnë gjyqtarin Kavanaugh.
Avokatët e zonjës Ford thonë se ajo dëshiron të dëshmojë përpara një komisioni të Senatit javën e ardhshme, por vetëm nëse siguria e saj është e garantuar.
Avokatja e saj, Debra Katz tha se klientja e saj ka marrë kërcënime me vdekje dhe se zonja Ford bashkë me familjen janë detyruar të largohen nga shtëpia e tyre në Kaliforni. Media amerikane thotë se edhe zoti Kavanaugh ka marrë kërcënime me vdekje.
Christine Blasey Ford, gruaja që ka akuzuar për sjellje të keqe seksuale, Brett Kavanagh, të nominuarin e presidentit amerikan, Donald Trump për gjykatës në Gjykatën Supreme, ka bërë të ditura kushtet e saj për të dëshmuar para Komitetit të Senatit.
Ford ka thënë se nuk do të dëshmojë nëse Kavanaugh është në dhomën e njëjtë dhe kërkon që ai të dëshmojë fillimisht, ka njoftuar avokati i saj.
Ende mbetet e paqartë nëse Komiteti do të pajtohet me kushtet e saj.
Gjyqtari Kavanuagh, 53 vjeçar, ka kundërshtuar vazhdimisht akuzat kundër tij dhe është pajtuar për të dëshmuar para Komitetit.
Komitetit Gjyqësor i Senatit ka për detyrë të miratojë nominimin e Kavanaugh para se të kalojë votimi përfundimtar në Senat.
Përzgjedhja e gjyqtarit të ri në Gjykatën Supreme përbën vendim shumë të rëndësishëm, pasi ky trup zakonisht jep fjalën e fundit në disa ligje dhe ka ndikim në jetën politike në SHBA.
Ky Komitet kishte caktuar një seancë për ditën e hënë dhe mund t’i duhet ta ndryshojë atë.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë për Fox News lidhur me këtë proces “se nuk mendoj që mund të shtyhet më shumë. Ata kanë shtyrë për një javë tashmë, ata duhet të përballen me të”.
Deri tani nuk ka qenë traditë që i akuzuari të dëshmojë i pari në Komitet dhe që të mos ketë mundësi për kundërshtim.
Ish-avokati personal i Presidentit Trump, Michael Cohen, ka bërë të ditur se po ofron “informacion kritik” për hetimin që po kryen Prokurori i Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016.
Në një raportim të rrjetit televiziv ABC News të enjten, thuhej se zoti Cohen është takuar disa herë me hetuesit e zyrës së Robert Mueller-it.
Zoti Cohen ka thënë se Donald Trump e ka urdhëruar atë të sigurojë marrëveshje për mos publikim të informacionit në këmbim të parave, me aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels dhe një ish-modele të revistës Playboy, me qëllimin për të shmangur dëmtimin e kandidimit të tij për Shtëpinë e Bardhë.
Muajin e kaluar Zoti Cohen u vetëdeklarua fajtor për shkelje të ligjit për financimin e fushatës si dhe akuza të tjera. Në një postim në twitter, si përgjigje ndaj komenteve të presidentit Trump, Michael Cohen shkruante se askush “nuk duhet të vërë në pikëpyetje integritetin, vërtetësinë apo besnikërinë e tij ndaj familjes dhe vendit të tij”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trumpi, do të flasë për Iranin, rastin e helmimit Skripal, armët kimike dhe Korenë e Veriut, kur t’iu drejtohet Kombeve të Bashkuara, javën e ardhshme.
“Është koha për ne që të kemi diskutime reale dhe kjo do të ndodhë kur presidenti të kryesojë Këshillin e Sigurimit”, tha ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
“Do të jetë takimi më i shikuar i Këshillit të Sigurimit, jam e sigurt”, tha ajo.
Trumpi do t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në hapjen zyrtare më 25 shtator, ndërsa, në ditën pas saj, do të kryesojë një takim të Këshillit të Sigurimit që do të përqendrohet në Iranin, mospërhapjen e armëve bërthamore dhe sulmet me armë kimike në Siri dhe Britani.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar të martën Kinën për tentim të ndikimit në zgjedhjet për Kongres, që mbahen në muajin nëntor në Shtetet e Bashkuara.
Ky supozim ka shtuar një element tjetër shpërthyes në konfiktin mes dy shteteve, pasi Trumpi ka njoftuar të hënën vonë për vënie të tarifave prej 10 përqind në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve duke nisur nga java e ardhshme.
Përveç tyre, Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë nëse Kina vendos të hakmerret.
Pekini në anën tjetër ka njoftuar të martën se do të vendosë tarifa në mallrat amerikane në vlerë të 60 miliardë dollarëve.
Në një seri postimesh sulmuese nga ana e Trumpit, republikanët e të cilit rrezikojnë të humbin kontrollin në të dyja dhomat e Konrgesit, ka akuzuar Kinën për zgjerim të fushës së hakmarrjes, duke përmendur zgjedhjet.
“Kina ka treguar hapur se është duke tentuar të ndikojë dhe ndryshojë zgjedhjet, duke sulmuar bujqitë tanë dhe punëtorët industrialë për shkak të besnikërisë të tyre ndaj meje”, ka thënë Trump.
“Kina ka qenë në përparësi ndaj Shteteve të Bashkuara në aspektin e tregtisë për shumë vjet”. Ata po ashtu e dijnë se unë jam ai që di si t’i ndalojë”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Mirëpo Trumpi nuk e ka bërë të ditur se cilave deklarata të hapura të Kinës u është referuar.
Hillary Clinton, e cila ka humbur zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, përballë Donald Trumpit, tha se demokracia amerikane është në krizë dhe fajësoi presidentin Trump për, siç tha, “korrupsion të jashtëzakonshëm” dhe “politika ndarëse” me “motive racore”.
Komentet e Clintonit, ish-sekretare e shtetit, të bëra në një ese, janë ndoshta të pashembullta në politikën amerikane.
As Trump, as Shtëpia e Bardhë nuk i komentuan ende.
Gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, Trump ka thënë se Clinton duhet të hetohet për krime të ndryshme – diçka që është shumë e pazakontë për një fitues të zgjedhjeve.
Clinton tha se pas zgjedhjeve të vitit 2016, ajo u ka bërë thirrje mbështetësve që t’i japin Trumpit një shans për të udhëhequr.
“Shpresoja që frika ime për të ardhmen është e fryrë. Nuk ka qenë”, tha Clinton në esenë e publikuar në ueb-faqen e revistës Atlantic.
“Demokracia jonë tani është në krizë”, tha ajo.
“Trump nuk pretendon t’i japë përparësi të mirës publike para interesave të tij personalë apo politikë. Ai nuk duket se e kupton se nëpunësit publikë duhet t’i shërbejnë publikut dhe jo e kundërta”, tha Clinton.
Komentet e saj vijnë në kohën kur kandidatët dhe partitë politike po bëjnë fushatë për zgjedhjet për Kongres, që do të mbahen në nëntor.
Paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, ka nisur po ashtu të mbajë fjalime në mbështetje të kandidatëve demokratë dhe të dënojë politikat e Trumpit.
Është e pazakontë që ish-presidenti i SHBA-së të kritikojë publikisht një pasardhës.
Në SHBA, një numër senatorësh, përfshirë dhe disa republikanë, po bëjnë thirrje për të shtyrë procesin e votimit të kandidatit për Gjykatën e Lartë Brett Kavanaugh, pas deklaratave publike të një gruaje, se ai e ka sulmuar seksualisht kur të dy ishin në shkollë të mesme. Christine Blasey Ford, pedagoge në universitetin e Palo Alto-s në Kaliforni, tha për gazetën “Washington Post” se gjatë sulmit ishte frikësuar për vdekje. Avokatja e zonjës Ford, Debra Katz bëri të ditur se ajo është gati të dëshmojë përpara Kongresit rreth incidentit. Ajo tha se zonja Ford i karakterizon veprimet e zotit Kavanaugh si “përpjekje për përdhunim” dhe beson se “nëse ai nuk do të ishte në gjendje shumë të dehur, do ta kishte përdhunuar”. Ndërkohë në një koment të hënën këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conway tha se zonja Ford “nuk duhet fyer dhe nuk duhet të injorohet“.
Në një koment të zonjës Christine Blasey Ford të botuar të dielën ajo thoshte se gjatë sulmit “kishte menduar se Brett Kavanaugh mund ta vriste pa dashje”.
Sipas saj incidenti kishte ndodhur gjatë një feste në Maryland në vitet ‘80, kur ajo dhe Brett Kavanaugh ishin në shkollë të mesme.
Ajo tha se Brett Kavanaugh dhe një shok i tij e patën rrethuar në një dhomë gjumi. Më pas Kavanaugh e kishte hedhur në një krevat dhe ishte përpjekur t’i hiqte rrobat. Sipas saj të dy djemtë ishin “të dehur dhe mezi mbaheshin në këmbë”. Por Brett Kavanaugh i ka mohuar akuzat.
“I mohoj këto akuza kategorikisht dhe pa mëdyshje “, thuhej në një deklatë të tij javën e kaluar. “Nuk i kam bërë këto gjëra as në shkollë mesme dhe as në çdo periudhë tjetër“.
Të enjten pritet që komisioni juridik i Senatit të votojë për kandidaturën e zotit Kavanaugh. Në një deklaratë të komisionit të dielën akuzoheshin demokratët për fshehjen e akuzave Christine Blasey Ford deri në prag të votimit.
Senatori republikan Lindsey Graham, anëtar i komisionit, tha se pajtohej me shqetësimet e shprehura në deklaratë, por tha gjithashtu se do ta mirëpriste një seancë dëgjimore me zonjën Ford, nëse ajo do të dëshironte të fliste me anëtarët e komisionit.
“Nëse komisionit do duhet ta dëgjojë znj. Ford, duhet ta bëjë menjëherë, që procesi të vazhdojë sipas planit“, tha zoti Graham.
Një tjetër republikan i komisionit senatori Jeff Flake, shkoi edhe më tej, duke thënë se ai nuk do të votonte për miratimin e kandidaturës së zotit Kavanaugh, pa dëgjuar më parë Christine Blasey Ford.
Një republikane tjetër, senatorja Lisa Murkowski, i tha të dielën rrjetit televiziv CNN se komisionit duhet të marrë në konsideratë shtyrjen e votimit.
“Kjo nuk është diçka që doli gjatë seancave dëgjimore dhe nëse ka diçka të vërtetë në ato që thuhen, çështja kërkon një përgjigje“, tha ajo.
Demokratja më e lartë e komisionit senatorja Dianne Feinstein, në krye të një numri demokratësh bëri thirrje për shtyrje të votimit.
“E mbështes vendimin e zonjës Ford për të ndarë publikisht historinë e saj. Tani që e ajo e bëri këtë gjë është në duart e FBI-së të kryejë një hetim. Kjo duhet të ndodhë përpara se Senati të bëjë përpara lidhur me kandidaturën e zotit Kavanaugh“, thuhej në një deklaratë të zonjës Feinstein të lëshuar të dielën.
Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer bëri gjithashtu thirrje për shtyrje të procesit të konfirmimit, ndërsa po hetohen akuzat e zonjës Ford.
“Të ushtrosh presion për të kryer një votim tani, do të ishte një fyerje për gratë e Amerikës dhe integritetin e Gjykatës së Lartë” tha ai në një deklaratë.
53 vjeçari Brett Kavanaugh është një gjykatës federal i apelit në Uashington. në muajin korrik Presidenti Donald Trump e emëroi atë për një vend në Gjykatën e Lartë pas daljes në pension të ish-anëtarit të gjykatës Anthony Kennedy.
Presidenti Donald Trump tha të dielën, pa cituar fakte, se hetimi kriminal që është duke u zhvilluar për mundësinë e lidhjeve të fushatës së tij elektorale të vitit 2016 me Rusinë, “nuk është i lejuar me ligj”.
Përmes një komenti në Twitter, udhëheqësi amerikan e cilësoi “të paligjshëm” hetimin e kryesuar nga Prokurori Special Robert Mueller, duke shtuar se ai “vazhdon të jetë në kërkim të një krimi”.
Por zoti Mueller u emërua nga Departamenti i Drejtësisë dhe gjykatësit kanë dhënë vendimin se hetimi është duke u kryer në mënyrë të ligjshme.
Trump mohoi të ketë patur bashkëpunim me Rusinë, duke thënë se këtë gjë e ka bërë rivalja e tij, ish Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton. Ai e përshkroi ekipin ligjor të zotit Mueller si “17 demokratë të zemëruar…që përpiqen të gjejnë diçka, çfarëdo qoftë. Shumë keq për vendin.”
Por zoti Trump nuk komentoi në Twitterin e tij të së dielës lidhur me zhvillimin më të fundit të hetimit 16-mujor të prokurorit Mueller, praninimin e fajit të premten nga ish-menaxheri i fushatës elektorale,
Paul Manafort, për akuzat për korrupsion, si dhe për një deklaratë të prokurorëve se Manafort është duke bashkëpunuar me ta.
69-vjeçari Manafort, një lobist me eksperiencë i Uashingtonit, u gjet fajtor në muajin gusht lidhur me akuzat për mashtrime financiare dhe evazion fiskal nga një gjykatë e Virxhinas, pranë Uashingtonit dhe ai pranoi fajësinë për dy akuza për komplot.
Në rastin më të fundit, prokurorët ranë dakord ta lirojnë atë nga akuzat që lidhen me aktivitetin e tij si lobist për ish udhëheqësin ukrainas Viktor Yanukovych, para se ai të punonte për 5 muaj për fushatën e zotit Trump të vitit 2016. Ky vendim i prokurorëve u mor në këmbim të përgjigjes nga Manaforti “në mënyrë të plotë dhe me vërtetësi” ndaj pyetjeve lidhur me “të gjitha çështjet” për të cilat po zhvillon hetime ekipi i Prokurorit Special Mueller.
Por nuk dihet për publikun se çfarë informacioni mund t’i ofrojë Manafort zotit Mueller lidhur me fushatën e zotit Trump, edhe pse prokurorët e liruan atë nga disa akuza, pasi morën vesht paraprakisht përse ai do të fliste.
Manafort pati rol në një çështje të rëndësishme që është duke hetuar zoti Mueller: një takim në qershor të vitit 2016 në Kullën Trump në Nju Jork mes tij, djalit të madh të Presidentit, Donald Trump Jr., me një juriste që thuhet se ishte avokate për qeverinë ruse, që kishte ofruar të siguronte informacione inkriminuese për zonjën Clinton. Djali i Donald Trumpit tha se këto informacione ata nuk i kishin marrë dhe Presidenti Trump ka thënë se nuk ishte në dijeni të takimit në atë kohë.
Pasi Manafort pranoi fajësinë, avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani, tha përmes një deklarate: “Edhe një herë, një hetim ka arritur në konkluzion me një pranim faji që nuk ka të bëjë aspak me Presidentin Trump, apo me fushtatën e tij. Arsyeja: Presidenti nuk ka bërë asgjë të keqe dhe Paul Manafort do të tregojë të vërtetën.” Por pas disa minutash Giuliani e rishikoi deklaratën e tij, duke e hequr vlerësimin “Paul Manafort do të tregojë të vërtetën”.
Pasi Manafort u gjet fajtor për akuzat e gushtit, Trump tha se “kishte respekt të madh për atë burrë të guximshëm, sepse refuzoi të “dorëzohej” – pra që të trillonte, me qëllim që të arrinte një “marrëveshje” për çështjen e tij.
“Më vjen keq për Paul Manafortin dhe familjen e tij të mrekullueshme”- tha Trump.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, do të dërgojë një mesazh tek të gjithë celularët në Shtetet e Bashkuara, të enjten, për të testuran një sistem alarmi që paralajmëron emergjencat kombëtare dhe për rrezikshmëri të mundshme.
Mesazhi përmban fjalët “Alarm presidencial”, raportuan Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave. Celularët do të kenë një tingull të fortë të shoqëruar me dridhje, me të cilën dërgohet mesazhi.
Testi po mbahet për të siguruar nese funksionon tek të gjithë celularët në rast emergjencash. Ish presidenti amerikan, Barack Obama, kishte nënshkruar një ligj më 2016, duke kërkuar nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, të krijojë një sistem që lejon presidentin të dërgojë alarme lidhur me kërcënimet e sigurisë publike.
25 vjet pasi Izraeli dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës nënshkruan Marrëveshjen e Paqes të Oslos, e cila shtoi shpresat për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ekspertët thonë se paqja në Lindjen e Mesme është më larg se ndonjëherë. Disa prej ekspertëve paralajmërojnë se përmes veprimeve të saj të fundit, administrata Trump ka humbur besimin e palestinezëve për të qenë një ndërmjetës i drejtë në këtë konflikt.
Shtrëngimi i duarve mes Kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin dhe kryetarit të atëhershëm të OPÇ-së Yasser Arafat, sfidoi tabutë e vjetra për çfarëdolloj bashkëpunimi mes dy armiqve, ndërsa të dyja palët i mbanin sytë nga ndihma e Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje më të gjerë që do të mundësonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës.
Tashmë, 25 vjet më vonë, administrata Trump ka kënaqur qeverinë izraelite, por ka armiqësuar palestinezët nëpërmjet një sërë veprimesh, duke filluar me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe vendosjen atje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.
Gazetarët shtruan pyetjen nëse administrata Trump beson se po i inkurajon palestinezët të rikthehen në tryezën e bisedimeve nëpërmjet prerjes së fondeve për agjensinë e OKB-së për refugjatët palestinezë dhe mbylljes së zyrës së OPÇ-së në Uashington. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha se zyrtarët amerikanë po provojnë një përqasje tjetër.
“Asgjë nuk ka funksionuar gjatë gjithë jetës sonë, apo jo? Asgjë nuk ka funksionuar deri më tani, kështu që po provojmë një përqasje tjetër dhe të shohim nëse do të ketë rezultat. Jemi të përkushtuar dhe kemi njerëz në terren, që punojnë çdo ditë për këtë gjë. Vazhdojmë të jemi optimistë dhe po punojmë”, tha zonja Nauert.
Dhëndrri i Presidentit, Jared Kushner, i tha gazetës “The New York Times” se asnjë nga masat ndëshkuese ndaj palestinezëve nuk i ka ulur shanset për një plan amerikan për paqen, përpjekje të cilën ai drejton. Por, disa analistë nuk janë dakort.
“Këto lëvizje të administratës Trump ia kanë mbyllur derën mundësisë për t’i angazhuar palestinezët në një mënyrë konstruktive. Janë një sërë vendimesh. U mor vendimi për të hapur ambasadën në Jeruzalem; vendimi për të prerë fondet për UNRWA-n, programin palestinez të ndihmave për refugjatët; vendimi për ndihmën që i jepej autoritetit palestinez”, thotë Natan Sachs, i Institutit Brookings.
Zoti Sachs vë në dukje se administrata Trump vazhdon të thotë se plani është pothuajse i përfunduar dhe se do të paraqitet së shpejti.
“Ky plan vazhdon të jetë gjithnjë gati për t’u publikuar. Nuk di nëse do të publikohet ndonjëherë. Pjesë të këtij plani janë pritur tashmë ftohtë nga disa udhëheqës arabë. U tha se po qarkullonin idenë për të përfshirë Jordaninë, diçka që jordanezët e kanë përjashtuar kategorikisht që në vitin 1988”, thotë zoti Sachs.
Për shumë banorë të kësaj pjese të botës, shpresat për një paqe të qëndrueshme janë venitur si një kujtim i largët.
Florence nuk është më një stuhi tropikale. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve, ajo është dobësuar, por megjithatë, përmbytjet dhe vërshimet e lumenjve do të vazhdojnë në një pjesë të madhe të Karolinave.
“Ajo vazhdon të jetë një stuhi katastrofike, që përbën rrezik për jetën.” Kështu tha metereologu Zack Taylor për Florencën, që i mori jetën 12 njerëzve.
Pasi të pushojnë shirat, situata e fatkeqësisë pritet të vazhdojë me ditë ose javë të tëra, në kushtet kur lumenjtë kanë dalë nga shtrati.
Ndërsa vazhdon të lëvizë me ngadalë, Florence vazhdon të sjellë shira të rrëmbyer në zonat ku kalon, në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut, në veriun e Karolinës së Jugut e deri në Virxhinias jugore.
Qendra e uraganëve thotë se sot mund të ketë tornado në mbarë Karolinën e Veriut dhe në pjesën lindore të Karolinës së Jugut.
Sot dhe nesër Florence pritet të lëvizë më shpejt, drejt shteteve verilindore Amerikës dhe më pas të rikthehet në oqean.
Erërat e Uraganit “Florence” u dobësuan ndërsa stuhia pritej të godiste Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara, por parashikuesit e motit paralajmërojnë për përmasat që do të ketë stuhia dhe kapacitetet e saj për të sjellë reshje të jashtëzakonshme që do të rrezikojnë jetën e njerëzve të gjendur në trajektoren e saj.
Njerëzve në Karolinën e Veriut dhe në Karolinën e Jugut u kanë mbetur vetëm orët e ditës së sotme për të marrë masat e fundit për t’i shpëtuar stuhisë.
Qendra Kombëtare e Uraganëve parashikonin që erërat e uraganit do të mbërrijnë në bregdetin mes këtyre dy shteteve në orët e vona të ditës së sotme dhe në orët e para të ditës së djeshme.
Shpejtësia e tij e ngadaltë do të shkaktojë që Uragani “Florence” të godasë dy Karolinat me valë pas vale reshjesh të rënda, duke “shkaktuar përmbytje katastrofike dhe dalje nga shtrati të lumenjve”.
Deri kur furtuna t’i jetë larguar rajonit, parashikuesit mendojnë se do të ketë hedhur 50 deri në 75 cm shi në zonat bregdetare, madje në disa zona do të arrijë deri në 100 cm. Në zonat më në brendësi të kontinentit reshjet do të jenë në nivelin 25 cm dhe më tej në 15 cm.
Një tjetër rrezik për banorët e bregdetit vala e përmbytjes nga stuhia. Edhe zonat normalisht të thata mund të përmbyten me deri 4 metra ujë që lëviz drejt tokës.
Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se shpejtësia e erës të Uraganit “Florence” ka sot një nivel maksimal prej 175 km në orë dhe se do ta ruajë këtë shpejtësi deri në momentin kur të godasë tokën.
Por, për shkak se erërat me forcën e uraganit shtrihen në një rreze prej 130 kilometrash nga qendra e saj, njerëzit në tokë do të përjetojnë përkeqësim të ndjeshëm të kushteve shumë më përpara se epiqendra e uraganit të mbërrijë në tokë.
Rreth 10 milionë njerëz jetojnë në zonat e përcaktuara si të rrezikuara në uragani dhe stuhia tropikale për ditën e sotme.
Udhëheqësit e shteteve amerikane të gjendura në trajektoren e furtunës kanë paralajmëruar banorët të evakuohen nga zonat më të rrezikuara. Guvernatorët e Karolinës së Verit, Karolinës së Jugut, Virxhinias dhe Xhorxhias kanë shpallur gjendjen e emergjencës për të ndihmuar operacionet e ndihmave.
Zyrtarët bëjnë thirrje për evakuime përpara se të godasë uragani i paparashikueshëm
Presidenti Donald Trump tha dje se mbrojtja e jetëve është “absolutisht prioriteti i tij më i lartë”.
“Do t’ja dalim mbanë. Jemi të gatshëm dhe të aftë”, tha ai. “Jemi plotësisht të përgatitur. Ushqime, ilaçe, me gjithçka që mund të imagjinoni jemi gati”.
UASHINGTON – Komanda për Mbrojtjen e Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD) bëri të ditur se dy avionë amerikanë F-22 Raptor kanë interceptuar dy avionë bombardues rusë TU-95 mbi ujërat e Alaskës të martën.
Përmes një deklarate me shkrim, NORAD njoftoi se interceptimi ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare në perëndim të Alaskës.
Sipas deklaratës, avionët rusë nuk kanë hyrë brenda kufijve ajrorë të SHBA-së ose Kanadasë, ndërkohë që në kohë kur është bërë interceptimi, dy bombarduesit rusë gjendeshin brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, e cila shtrihet deri në 200 milje detare nga Alaska.
Ngjashëm, në fillim të muajit shtator dhe në muajin maj, bombardues rusë ishin interceptuar nga avionët amerikanë mbi ujërat e Alaskës.
Pas incidentit në muajin maj, zyrtarë të Pentagonit i kishin cilësuar fluturimet si “rutinore” dhe “jo kërcënuese”.
Nga ana tjetër, disa anëtarë republikanë të Kongresit Amerikan e kishin përshkruar fluturimin e avionëve rusë pranë kufirit të SHBA-së si “mesazh për popullin amerikan”. aa
SAN JUAN – Byroja Federale Amerikane e Hetimit (FBI) ka arrestuar një senator të Porto Rikos me akuzat për korrupsion.
Zëdhënësi i FBI-së, Carlos Osorio, ka theksuar se senatori Abel Nazario akuzohet për përvetësim të fondeve federale gjatë periudhës kur ai ka qenë kryetar bashkie në rajonin Yauco, në jugperëndim të vendit.
Ndërkohë bëhet e ditur se FBI-ja ka kaluar në veprim pas një ankese të bërë nga Departamenti Amerikan i Punës.
Senatori Nazario kryente detyrën e ndihmës kryetarit të përgjithshëm të Partisë së Re Progresiste të Guvernatorit të Porto Rikos, Ricardo Rossello.
Vendi i Karaibeve, Porto Riko ndodhet në statusin e “territorit të pavarur të SHBA-ve”. aa
John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, kërcënoi të hënën se Uashingtoni do të vendosë sanksione kundër gjykatësve dhe prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale nëse ata nisin të hetojnë krimet e dyshuara të luftës, të kryera në Afganistan nga amerikanët.
“Do t’i ndalojmë gjykatësit dhe prokurorët (e Gjykatës Ndërkombëtare Penale) të hyjnë në SHBA. Do t’i sanksionojmë fondet e tyre në sistemin financiar të SHBA-së dhe do t’i persekutojmë ata në sistemin penal të SHBA-së. Do të bëjmë të njëjtën gjë me çdo kompani apo shtet që ndihmon hetimet e amerikanëve nga gjykata”, tha Bolton.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se Bolton i bëri deklaratat pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale i tha Uashingtonit se është “në prag” të njoftimit të një vendimi për hetimet e mundshme në Afganistan.
“Po ua bëjmë me dije qëndrimin tonë përpara se ta marrin atë vendim”, tha Sanders.
Në fakt, vendimi i pritur do të autorizojë një hetim për mizoritë e pretenduara nga talibanët dhe forcat e Qeverisë afgane.
Por ai mund të përfshijë edhe raste ku hetuesit amerikanë akuzohen për torturimin e të burgosurve në Afganistan dhe në “lokacione të zeza” në Poloni, Rumani dhe Lituani.
Bolton tha se administrata e Trumpit “do të përdorë çdo mjet të nevojshëm për t’i mbrojtur qytetarët tanë dhe ata të aleatëve nga persekutimi i padrejtë i kësaj gjykate të paligjshme”.
“Ky president nuk do të lejojë që qytetarët amerikanë të ndiqen penalisht nga burokratët e huaj dhe ai nuk do të lejojë që kombet e tjera t’i diktojnë mjetet tona të vetëmbrojtjes”, tha Bolton.
Çfarë është saktësisht Gjykata Ndërkombëtare Penale?
Gjykata Ndërkombëtare Penale është institucioni i parë i përhershëm gjyqësor në botë që pretendon juridiksionin për të ndjekur penalisht individët për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në bazë të ligjit ndërkombëtar.
Ajo u krijua si një organizatë ndërqeveritare në Hagë, Holandë, në vitin 2002, në bazë të një traktati të njohur si Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Gjykata mbikëqyret nga një asamble e 123 vendeve që e kanë ratifikuar Statutin e Romës. Këto shtete anëtare përfshijnë gjithë Amerikën e Jugut, pothuajse gjithë Evropën, pjesën më të madhe të Oqeanisë dhe rreth gjysmën e Afrikës.
Tridhjetenjë vende e kanë nënshkruar, por nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës.
Katër prej këtyre shteteve nënshkruese – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Izraeli dhe Sudani – i kanë njoftuar Kombet e Bashkuara se nuk synojnë më të bëhen palë pjesëmarrëse.
Dyzetenjë shtete anëtare të OKB-së nuk e kanë nënshkruar Statutin e Romës. Ato përfshijnë Kinën dhe Indinë, të cilat janë shumë kritike ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Si është strukturuar Gjykata Ndërkombëtare Penale?
Gjykata Ndërkombëtare Penale përbëhet nga katër degë – presidenca, sektori gjyqësor, prokurori dhe regjistri.
Tre gjyqtarë formojnë presidencën e gjykatës, e cila është përgjegjëse për administratën e saj.
Secili anëtar i presidencës zgjidhet nga gjyqtarët e gjykatës për një maksimum prej dy mandatesh – secili prej tyre zgjat tre vjet.
Sektori gjyqësor ka 18 gjyqtarë që ulen në tri dhomat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale: një dhomë e procedurës paraprake, një gjykatë gjyqësore dhe një gjykatë apeli.
Prokuroria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale heton rastet e referuara nga shtetet, nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ose nga gjyqtarët në dhomën e procedurës paraprake.
Në rastet që arrijnë në gjykim, ajo gjithashtu zhvillon procedurat ligjore kundër të pandehurve.
Regjistri është përgjegjës për çështje jogjyqësore, siç janë: ndihma juridike, menaxhimi i gjykatave, dëshmitarët dhe viktimat, njësia e paraburgimit dhe shërbimet tradicionale të administratës.
Cila është historia e kundërshtimit të Uashingtonit ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale?
Shtetet e Bashkuara kurrë nuk i janë bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe vazhdimisht kanë kundërshtuar fuqizimin e një gjykate ndërkombëtare që do të mund të gjykojë udhëheqës ushtarakë dhe politikë amerikanë në bazë të ligjit ndërkombëtar.
Kjo, kryesisht për shkak të shqetësimeve se ushtarët amerikanë dhe udhëheqësit civilë mund të vihen në gjyq, pa mbrojtjen kushtetuese të SHBA-së, nga një prokuror anti-amerikan në një gjykatë me gjyqtarë joamerikanë.
Në vend të kësaj, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit ndiqen penalisht në gjykatat e SHBA-së, sipas Aktit të Krimeve të Luftës të vitit 1996 – një ligj që vlen nëse viktima ose kryerësi i një krimi të dyshuar të luftës është shtetas i SHBA-së ose një anëtar i ushtrisë amerikane.
Administrata e presidentit amerikan, George W. Bush, në mënyrë aktive ka bërë përpjekje që të mos lejojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale të ketë juridiksion mbi Shtetet e Bashkuara apo qytetarët e tyre.
Ajo e ka bërë këtë duke negociuar marrëveshje dypalëshe me rreth 100 vende të tjera, për të siguruar që qytetarët e SHBA-së do të kenë imunitet nga ndjekja penale nga Gjykata Ndërkombëtare.
Administrata e presidentit Barack Obama është angazhuar me gjykatën, duke marrë pjesë në organet qeverisëse të saj dhe duke ofruar mbështetje për persekutimet në vazhdim.
Përse mosmarrëveshjet SHBA-Gjykatë janë përshkallëzuar papritmas?
Kërcënimi i Boltonit për t’i sanksionuar gjykatësit dhe prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale vjen pak ditë përpara një vendimi të pritur nga gjykata, nëse prokurorët e saj duhet të nisin hetime formale për krimet e mundshme të luftës në Afganistan, gjatë 15vjetëve të kaluar, e që potencialisht mund të përfshijnë edhe amerikanë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka thënë në vitin 2016 se pjesëtarët e ushtrisë amerikane dhe të CIA-s mund të kenë kryer krime lufte duke i torturuar të burgosurit në Afganistan.
Në nëntor të vitit 2017, prokurorja e gjykatës, Fatou Bensouda, ka thënë se do të kërkojë autorizim nga gjyqtarët e gjykatës për hetime të situatës në Afganistan.
Pasi Afganistani është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, gjykata mund të kërkojë juridiksion mbi çdo krim lufte, gjenocid ose krim kundër njerëzimit të kryer në Afganistan, pas 1 majit, 2003.
Por, qeveria në Kabul nuk ka kërkuar një hetim të tillë, e as Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Kjo do të thotë se mënyra e vetme për realizimin e një hetimi formal është që prokurori i gjykatës të marrë autorizim nga dhoma e procedurës paraprake e gjykatës.
Bolton tha se administrata Trump e kundërshton idenë që Gjykata Ndërkombëtare Penale të ketë autoritet më të lartë se Kushtetuta e SHBA-së dhe sovraniteti i SHBA-së.
Bolton u zotua gjithashtu se Uashingtoni “nuk do të bashkëpunojë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale”.
“Ne nuk do të ofrojmë asnjë ndihmë për Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Do të lejojmë që gjykata të vdesë vetë. Në fund të fundit, për të gjitha synimet dhe qëllimet e saj, ajo tashmë është e vdekur për ne”, tha Bolton.
Pas komenteve të Boltonit, zëdhënësi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Fadi El Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë ky institucion “si një gjykatë e ligjit, do të vazhdojë të kryejë punën pa u penguar, si institucion i pavarur dhe i paanshëm i mbështetur nga 123 shtete”.
Abdallah tha se këto 123 vende “besojnë se gjykata është e rëndësishme për të siguruar përgjegjësi për krimet që tronditin vetëdijen e njerëzimit”.
Çfarë është rezultati i pritur i një hetimi të Gjykatës Ndërkombëtare Penale?
Alex Whiting, profesor i Shkollës së Ligjit në Harvard, i cili ka punuar në zyrën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale më 2010-13, thotë se kjo gjykatë ka “kompetenca jashtëzakonisht të kufizuara hetimore dhe është pothuajse tërësisht e varur nga bashkëpunimi” i shteteve anëtare për mbledhjen e informacioneve.
Në blogun e tij “Vetëm siguri”, Whiting thotë se hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale “nuk do të kenë bashkëpunim nga Qeveria afgane, talibanët apo Shtetet e Bashkuara”.
Whiting gjithashtu vë në dukje se Akti Amerikan për Mbrojtjen e Shërbyesve i ndalon zyrtarët e SHBA-së të bashkëpunojnë vullnetarisht.
Ai thotë se nëse hetimi në Afganistan miratohet nga dhoma e procedurës paraprake, “pret që hetimi të zgjasë me vite”, ndërsa rezultatet të jenë “shumë të pasigurta”.
Whiting parasheh që mosmarrëveshja aktuale SHBA-Gjykatë të rezultojë me dobësimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
“Rreziku është që presioni amerikan për t’i dhënë fund gjykatës ose për të kufizuar aktivitetet e saj, mund të ketë pasoja të vërteta këtë herë, duke bërë që edhe miqtë e gjykatës të dëshirojnë të sakrifikojnë institucionin për t’u përqendruar në qëllime të tjera”, thotë Whiting.
Ai shton se kthimi i administratës Trump kundër trashëgimisë së mbështetjes së institucioneve për “arritjen e përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare” ka gjasa të vazhdojë “për shumë vite të ardhshme”.
Një zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Irlandës ka njoftuar për anulim të vizitës së planifikuar të presidentit amerikan, Donad Trump në këtë vend.
Trump pritej që të vizitonte klubin e tij të golfit në Doonbeg dhe Dublin në 10-11 nëntor.
Zyra e kryeministrit së Irlandës, Leo Varadkar ka konfirmuar anulimin e vizitës së muajit nëntor, duke thënë se “Shtetet e Bashkuara kanë përmendur si arsye planifikimet”.
Kjo do të shënonte vizitën e parë të Trumpit në këtë shtet, prej kur ai është bërë president më 2016.
Trump pritet të udhëtojë në Paris më 11 nëntor në ceremoninë e shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Disa politikanë dhe aktivistë në Irlandë patën thënë se do të mbanin protestë gjatë vizitës së Trumpit.
Lideri i Partisë Laburiste, Brendan Howlin, ka thënë se Trump nuk është “shok i demokracisë apo të drejtave të njeriut”.
Partia e Gjelbër po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë irlandeze për të anuluar vizitën.
Presidenti amerikan zotëron një klub të golfit në këtë shtet, të cilin e ka blerë në shkurt të vitit 2014.
Një libër i ri për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij, doli sot në shitje për publikun.
Libri me titull “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, tashmë në listën e më të shiturve, ka si autor gazetarin hulumtues Bob Woodward, i cili i hedh një vështrim tepër kritik presidencës kaotike 20-mujore të zotit Trump.
Woodward ka shkruar libra rreth shtatë administratave të mëparshme dhe ka fituar famë gati pesë dekada më parë si një nga gazetarët e Uashington Postit, raportimet e të cilëve për korrupsionin në Shtëpinë e Bardhë bënë që presidenti i atëhershëm Richard Nixon të jepte dorëheqjen.
Presidenti Trump e kritikoi librin përpara dales së tij në qarkullim, duke e quajtur një “shaka”. Presidenti tha se libri përbën një tjetër sulm të zakonshëm kundër tij, në morinë e sulmeve të tjera.
Libri tashmë është tashmë numri 1 në listën më të shiturve në Amazon, por zoti Trump thotë se Woodward ka përdorur “burime anonime, të provuara si të pavërteta.” Shumë njerëz, shkruan ai, tashmë kanë deklaruar se citimet e tyre, ashtu si edhe vetë libri, janë të sajuara.
Beteja e hidhur partiake për emërimin e gjykatësit Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara ka kthyer vëmendjen te njëri prej vendimeve më të rëndësishme që duhet të marrin presidentët amerikanë.
Gjykatësit e Supremes emërohen me mandat të përjetshëm, çfarë do të thotë shumë më gjatë se maksimumi i dy mandateve katërvjeçare që kanë presidentët amerikanë.
Kandidati aktual, 53-vjeçari Kavanaugh, mund të zhvendosë balancën në anën e konservatorëve dhe në këtë mënyrë të krijojë ligjet më të rëndësishme shtetërore për dekadat që vijnë.
Mundësia e presidentit
Kushtetuta amerikane ndan pushtetin për emërimin e gjykatësve të rinj të Gjykatës Supreme midis presidentit dhe dhomës së lartë të Kongresit amerikan – Senatit. Presidenti e emëron një individ dhe Senati tradicionalisht mban seanca publike dëgjimore përpara se të vendosë për kandidatin.
Historikisht, presidentët kanë pasur tendencë të emërojnë një ose dy gjyqtarë gjatë mandateve të tyre, për shkak të daljes në pension ose të vdekjes së gjyqtarëve aktualë.
Emërimi i Kavanaugh është i dyti i Donald Trumpit prejse është bërë president në janar të vitit 2017. I emëruari i tij i parë për Gjykatën Supreme, konservatori Neil Gorsuch, është konfirmuar në prill të vitit të kaluar.
“Zgjedhja e gjykatësit të Gjykatës së Lartë është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më me ndikim në gjithë politikën amerikane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Paul M. Collins Jr, profesor dhe drejtor i Studimeve Ligjore në Universitetin e Masaçusets.
“Publiku sigurisht se i kushton vëmendje procesit”, thotë ai, duke vënë në dukje se procesi i përzgjedhjes është “i dizajnuar të jetë politik” dhe se shpesh shndërrohet në çështje partiake.
“Shumë vende i zgjedhin gjykatësit përmes proceseve të bazuara në merita. Procesi në Amerikë është pak i pazakontë”, thotë Collins, bashkautor i librit “Dëgjimet për konfirmimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe ndryshimet kushtetuese“.
Njëqindetrembëdhjetë burra dhe gra kanë shërbyer në Gjykatën Supreme që nga ngritja e saj në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1789. Ata kanë shërbyer mesatarisht 16 vjet.
Fuqia e Gjykatës
Gjykata Supreme luan rol kyç në interpretimin e Kushtetutës amerikane nga gjyqësori dhe mund të ketë fjalën e fundit edhe në interpretimin e ligjeve të tjera.
Nga ajo kërkohet vazhdimisht të vendosë për çështje me ngarkesë emocionale, si të drejtat e abortit, kontrolli i armëve, të drejtat e homoseksualëve e madje edhe për sfidat e emërimeve në Kongres dhe Presidencë.
Individualisht, çdo ndikim real i një gjykatësi të Gjykatës Supreme në gjykatat më të ulëta dhe në shoqërinë amerikane matet nga të dhënat e tij në gjyqësi –përmes votës në çështje të rëndësishme që mund të radhiten nga diskriminimi te kujdesi shëndetësor dhe liria e fjalës.
Gjykatësit e Supremes po ashtu ndikojnë në proceset ligjore dhe qeveritare, duke shkruar opinione ligjore në lidhje me vendimet – në pajtim ose mospajtim – që mund të formojnë debatin e ardhshëm mbi mosmarrëveshje të rëndësishme kushtetuese, si dhe të ndikojnë opinionin publik përmes deklaratave të bëra jashtë detyrimeve strikte në Gjykatën Supreme.
Precedenti dhe fuqia
Një nga mjetet më të fuqishme të Gjykatës Supreme është ai që e ka themeluar vetë gjykata: shqyrtimi gjyqësor. Kjo është fuqia për t’i deklaruar ligjet nga Dega Legjislative (Kongresi) jokushtetuese.
Gjykata Supreme në përgjithësi vendos për të dëgjuar një rast pasi së paku katër gjykatës të saj pajtohen se duhet një gjë e tillë, ose kur mosmarrëveshja përfshin dy shtete të ndryshme amerikane. Ajo kryesisht shqyrton raste të gjykatave më të ulëta, duke i konfirmuar vendimet e tyre ose duke i përmbysur.
Disa nga vendimet e profilit të lartë të Gjykatës Supreme gjatë shekullit të kaluar përfshijnë:
1. Brown kundër Bordit të Arsimit, më 1954, që vuri mënjanë doktrinën e mëparshme “të ndarë por të barabartë”, për të vendosur se ndarja e studentëve me ngjyrë dhe atyre të bardhë në shkollat publike (ose, për më tepër, në institucione të tjera) është jokushtetuese.
2. Me vendimin Miranda të vitit 1966, Gjykata deklaroi se të dyshuarit në raste kriminale duhet të këshillohen për të drejtat e tyre ligjore përpara se të merren në pyetje nga policia, duke iu garantuar të drejtën për mbrojtës ligjor.
3. Në rastin Roe kundër Wade më 1973, Gjykata Supreme vendosi me 7 vota për dhe 2 kundër se me Amendamentin 14, grave iu garantohet e drejta për abort në dy tremujorët e parë të shtatzënisë, në përputhje me interesin e shtetit për rregullimin e abortit.
4. Në rastin Obergefell kundër Hodges, më 2015, Gjykata Supreme vendosi se parandalimi i martesës së çifteve me gjini të njëjtë përbën diskriminim dhe për këtë arsye ai është ndaluar me klauzolën e mbrojtjes së barabartë të amendamentit të 14-të.
Atmosfera e nxehur
Demokratët, aktualisht parti pakicë në të dyja dhomat e Kongresit, po luftojnë në Senat për të bllokuar konfirmimin e Kavanaugh.
Komiteti Gjyqësor i Senatit po mban seanca dëgjimore, në të cilat senatorët kanë pyetur Kavanaugh drejtpërdrejt rreth qasjes së tij ndaj precedentit dhe aspekteve specifike të ligjit dhe kushtetutës dhe do të pyesin dëshmitarë të tjerë të ftuar.
Zemërimi shpërtheu menjëherë pas nisjes së seancës dëgjimore më 4 shtator, pasi senatorët demokratë i sfiduan procedurat, sepse dhjetëra-mijëra faqe dokumente të lidhura me shërbimin e Kavanaugh në një administratë të mëparshme republikane u dorëzuan vetëm në prag të seancës.
“Demokratët e kuptojnë se shumëçka është në rrezik nëse konfirmohet Kavanaugh, andaj i bëjnë të gjitha përpjekjet për të bllokuar konfirmimin”, thotë Collins.
Paneli i kontrolluar nga republikanët do të rekomandojë, refuzojë ose nuk do të japë asnjë rekomandim për Senatin, i cili pastaj do të votojë për emërimin e tij.
Republikanët kanë aktualisht 51 vota kundrejt demokratëve me 49, kështu që mund të sigurojnë votimin me “po”.
Demokratët duket se i kanë mbështetur shpresat në të bindurit e së paku dy senatorëve republikanë për të braktisur partinë e tyre dhe për të kundërshtuar emërimin e Kavanaugh.
Me këtë strategji, demokratët nuk mund të përjetojnë dezertime nga partia e tyre.
Megjithatë, demokratët nga “shtetet e kuqe”, që i kanë fituar ulëset në shtete që anojnë kryesisht kah republikanët, mund të jenë nën presion për të miratuar Kavanaugh, në mënyrë që të mund të rizgjidhen në zgjedhjet për Kongres, që do të mbahen në nëntor.
“Demokratët e kuptojnë se do të jetë e vështirë të bllokojë konfirmimin e gjyqtarit Kavanaugh, megjithëse unë besoj se ata shpresojnë se mund t’i bindin dy ose më shumë senatorë republikanë për të votuar kundër konfirmimit të tij”, thotë Collins.
Kthim kah e djathta?
Nëse konservatori Kavanaugh konfirmohet për të zëvendësuar gjykatësin në largim, Anthony Kennedy (një konservator i përbetuar, por që herë pas here ka nxjerrë vendime duke u anuar me pakicën, sidomos për të drejtat individuale), studiuesit sugjerojnë se margjina 5 me 4 në favor të konservatorëve, do të paraqesë kthim kah e djathta.
Ky votim është aq i rëndësishëm për demokratët saqë disa prej tyre kanë rrezikuar dëbimin nga Senati duke bërë publike dokumente dhe emaile konfidenciale, lidhur me të kaluarën e Kavanaugh, për të cilat thonë se nxjerrin në pah disa deklarata mashtruese të bëra nga i emëruari në të kaluarën.
Demokratët kanë thënë se Trump ka zgjedhur Kavanaugh bazuar kryesisht në disa shkrime dhe komente të kaluara që sugjerojnë se ai mund të anohet kah Dega Ekzekutive (presidenti) në llogaridhënie të mundshme para Degës Legjislative ose zyrtarëve të tjerë amerikanë.
Këto akuza duket se pasqyrojnë në veçanti perceptimet në lidhje me hetimet e vazhdueshme nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për kontakte të mundshme midis Trumpit ose fushatës së tij me zyrtarët rusë dhe për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
Kavanaugh deri më tash nuk ka pranuar t’iu përgjigjet pyetjeve për të cilat thotë se janë hipotetike në natyrë.
Ai ka shprehur dëshirë për të mos komentuar mbi “ngjarjet aktuale”.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump ka thënë se do të zgjedhë gjyqtarë që kundërshtojnë abortin.
Demokratët dhe grupet e grave kanë shprehur shqetësime rreth pikëpamjeve të Kavanaugh mbi të drejtat e abortit dhe vendimin Roe kundër Wade.
Në një email të vitit 2003, Kavanaugh ka thënë se jo të gjithë studiuesit ligjorë i referohen rastit si “ligj i rregulluar”, një qëndrim që, sipas demokratëve, lë të kuptohet se ai do të votojë për të përmbysur vendimin dhe, në këtë mënyrë, për t’iu hapur derë të re kufizimeve të të drejtave të grave.
Politika të hidhura
Shumë demokratë mbeten të zemëruar me refuzimin e republikanëve për të mbajtur seanca dëgjimore për të emëruarin e presidentit Barack Obama në vitin e fundit të administratës së tij, pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia në fillim të vitit 2016.
Republikanët në atë kohë nuk kanë pranuar të shqyrtojnë emërimin e Merrick Garland, duke këmbëngulur se vendi bosh duhet të mbushet nga presidenti i ardhshëm, pas zgjedhjeve të nëntorit 2016.
Disa demokratë ende i referohen zëvendësimit të Scalias me gjykatësin Neil Gorsuch si karrige “e vjedhur”.
Paul Krugman, majtist, fitues i Nobelit dhe kolumnist për gazetën New York Times, ka thënë se “Kavanaugh do ta vrasë Kushtetutën”, duke numëruar si arsye procesin e emërimit, vendimet e mëparshme të gjykatësit dhe refuzimin e republikanëve për të publikuar dokumente që lidhen me të kaluarën e tij.
Në anën tjetër, Adriana Cohen, një kolumniste konservatore për Boston Herald, ka akuzuar kritikët e Trumpit për krijimin e “kërdisë” në seancat për Kavanaugh.
Liderët republikanë kanë thënë se shpresojnë për një votim mbi konfirmimin e Kavanaugh deri në fund të shtatorit.
Kavanaugh ka diplomuar në Shkollën Juridike të Yale.
Si avokat, ai ka punuar për Këshillin e Pavarur Kenneth Starr në hetimin që ka çuar në thirrjen e votëbesimit për presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1998. (Clinton është shpallur i pafajshëm nga Senati dhe ka mbetur në detyrë).
Kavanaugh ka shërbyer në administratën e presidentit republikan, George H.W. Bush, dhe që nga viti 2006 ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Uashington.
Shtetet e Bashkuara pritet të kenë qasje të ashpër kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, duke kërcënuar me sanksione kundër gjyqtarëve të së njëjtës, nëse vazhdojnë hetimet për krimet e supozuara të luftës të kryera nga amerikanët në Afganistan.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Bolton pritet të bëjë këtë njoftim përmes një fjalimi në grupin konservator, Shoqëria Federaliste në Uashington.
Kjo ngjarje njëherësh do të shënojë adresimin e tij të madh prej kur i është bashkuar Shtëpisë së Bardhë.
“Shtetet e Bashkuara do të përdorin gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë dhe ata të aleatëve tanë nga një ndjekje e padrejtë në këtë gjykatë jolegjitime”, pritet të thotë Bolton, bazuar në disa pjesë të fjalimit të siguruara nga agjencia e lajmeve, Reuters.
Bolton po ashtu pritet të deklarojë se Departamenti amerikan i Shtetit do të njoftojë për mbylljen e Organizatës Çlirimtare të Palestinës (PLO) në Uashington, pas shqetësimeve se palestinezët po tentojnë të nisin hetim për Izraelin në këtë Gjykatë.
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me shtetin tonë mik, Izraelin”, pritet të deklarojë Bolton.
Në rast të nisjes së hetimit për amerikanët në Afganistan, në fjalim thuhet se administrata e presidentit Trump do të konsiderojë një vendim përmes së cilit iu ndalon gjyqtarëve dhe prokurorëve të këtij trupi që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, si dhe të bllokojë fondet e tyre nëse janë pjesë e sistemit financiar amerikan.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë ratifikuar Traktatin e Romës, përmes së cilit është themeluar Gjykata Ndërkombëtare Penale më 2002, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, George W. Bush nuk është pajtuar me një gjë të tillë.
UASHINGTON – Administrata e presidentit të SHBA-ve Donald Trump ka njoftuar se do të shpallë sot vendimin për mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Washington.
Duke u thirrur në deklaratën e një zyrtari të paemëruar të Shtëpisë së Bardhë, gazeta “Amerikan Wall Street Journal” njoftoi se vendimin për mbylljen e zyrës së Organizatës për Çlirimin e Palestinës në Washington do ta shpallë këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare John Bolton.
I njëjti burim ka publikuar edhe draftin e tekstit që Bolton do të lexojë, ku thuhet se SHBA-të gjithmonë do të qëndrojnë me aleatin dhe mikun e saj Izraelin.
“Administrata e Trumpit nuk do ta mbajë atë zyrë të hapur përderisa palestinezët refuzojnë të hyjnë në bisedime të drejtpërdrejta dhe konstruktive me Izraelin”, shkruan gazeta amerikane.
Në të njëjtën kohë, i njëjti burim njofton se këshilltari i Trumpit, Bolton do të kërcënojë Gjykatën Ndërkombëtare Penale me sanksione në rast se fillon hetime kundër SHBA-ve dhe Izraelit.
Rreth kësaj çështje deri më tani nuk janë prononcuar as Shtëpia e Bardhë e as Departamenti i Shtetit.
Më parë, Trump pezulloi të gjitha ndihmat për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), duke theksuar se SHBA nuk do të ndihmojë palestinezët për aq kohë sa ata nuk vazhdojnë bisedimet e drejtpërdrejta me Izraelin të ndërmjetësuara nga Washingtoni.
Administrata e Trumpit në disa raste ka thënë se është duke punuar për “marrëveshjen e shekullit”, e cila duhet të zgjidhë krizën në Lindjen e Mesme ndërsa presidenti palestinez ka refuzuar të flasë me zyrtarët amerikanë dhe e quajti planin “shuplaka e shekullit”. aa
Senatori amerikan, Ron Johnson, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të gjendet nga të dyja palët.
Senatori Johnson i cili qëndroi të dielën në Prishtinë, do të shkojë të hënën në Beograd, për të transmetuar siç tha, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për gjetjen e një zgjidhjeje, që “nuk është aspak e lehtë”.
“Pasi të kenë arritur çfarëdo marrëveshje, ne do ta shohim atë për të parë nëse kemi ndonjë shqetësim dhe do të përçojmë ato shqetësime, por tani duam t’u japim Kosovës dhe Serbinë hapësirë nën ombrellën e Bashkimit Evropian, në bisedimet e drejtuara në Bruksel që të gjejnë zgjidhjen. E ritheksoj, nuk do të jetë e lehtë, por besoj se ka dëshirë të sinqertë për të gjetur një zgjidhje”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Kosova dhe Serbia ndodhe në një periudhë diskutimesh për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet tyre nën dritën e ideve për ndarje, shkëmbim territoresh apo ‘korrigjime kufijsh”.
Debatet kanë nxitur reagime në të dyja vendet por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare ndërmjet atyre që do të pranonin një zgjidhje të tillë, nëse palët pajtohen dhe atyre që kundërshtojnë idetë e tilla për shkak të drojës nga pasojat në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Senatori Johnson i quan të ligjshme shqetësimet e tilla.
Në intervistën që transmetohet të hënën në emisionin e Zërit të Amerikës, Ditari në orën 18:00, senatori Johnson flet edhe për ndikimin rus në Ballkan e referendumin për emrin e ri të Maqedonisë.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence bëri thirrje të dielën që zyrtari i lartë anonim që po bën qëndresë brenda administratës së Presidentit Trump që “veprojë me dinjitet dhe të jape dorëheqjen”.
Zoti Pence tha në emisionin told Fox News se zyrtari që shkroi artikullin në faqen e opinioneve të gazetës New York Times javën e kaluar ku e quante zotin Trump amoral, po “shkelte betimin jo ndaj presidentit, por ndaj Kushtetutës”, në përpjekjet për të minuar presidencën e zotit Trump.
Nënpresidenti përsëriti se nuk ishte ai që kishte shkruar artikullin, megjithëse aty përfshihej një fjalë të pazakontë, “lodestar” që përkthehet “yll polar”, por me kuptimin e dikujt që shërben si frymëzim, që zoti Pence vetë e ka përdrour në shumë fjalime. Nënpresidenti tha se do të ishte menjëherë i gatshëm t’i nënshtrohej provës të së vërtetës me poligraf, por tha se i takonte zotit Trump të vendoste nëse zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë, duhet të bënin të njëjtën gjë në përpjekje për të identifikuar personin që e kishte shkruar artikullin.
Zoti Pence tha se ai nuk e dinte se cili ishte autori. Zyrtari ose zyrtarja shkruante se ishte pjesë e një qëndrese të brendshme “që po punon me përkushtim nga brenda për të frenuar pjesë të programit të presidentit dhe instinktet e tij më të dëmshme”.
“Rrënja e problemit është amorilateti e presidentit”, shprehej zyrtari ose zyrtarja, duke denoncuar stilin “impulsiv, konfliktual, meskin dhe joefektiv” udhëheqës të Presidentit Trump.
Zoti Trump e ka denoncuar ashpër autorin, duke thënë në një tubim politik në Montana se “askush nuk e di se kush dreqin është ai apo ajo. Operativë të paidentifikuar që sfidojnë votuesit për të avancuar axhendat e tyre sekrete, janë me të vërtetë kërcënim për demokracinë”.
Artikulli doli një ditë pasi u botuan detajet e para të librit të ri të gazetarit të njohur, Bob Woodward “Frikë: Trump në Shtëpinë e Bardhë”, ku përshkruhet një funksionim kaotik i Shtëpisë së Bardhë të Presidentit Trump, ku vetë zyrtarë kryesorë të administratës së tij, e sulmojnë si injorant në një nivel të rrezikshëm përsa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në libër, Woodward shkruan se stafi i presidentit ka hequr dokumente të rëndësishme nga tavolina e tij që ai të mos i nënshkruante. Libri citon shefin e stafit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly që e përshkruan presidentin si të çbalancuar mendërisht. Zoti Kelly citohet gjithashtu të ketë thënë gjatë një takimi se “për shkak se presidenti është ‘idiot’, është “e pakuptimtë të përpiqet ta bindë atë për ndonjë gjë, se ai ka dalë nga shinat dhe se jetojmë në një qytet të çmendurish”.
Presidenti Trump dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë e kanë quajtur librin e zotit Woodward si sajesë. Por autori tha të dielën në një intervistë në CBS se pretendimi i presidentit se ai nuk flet ashtu siç e ka cituar ai në libër është “i gabuar”, duke thënë se informacioni që ai ka përfshirë është “i saktë dhe i kujdesshëm”, i bazuar nga qindra orë intervista me këshilltarë aktualë dhe të kaluar.
UASHINGTON – George Papadopoulos, ish këshilltari zgjedhor i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili është fajtor se ka gënjyer Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në kuadër të hetimeve për Rusinë, u dënua me 14 ditë burg.
Papadopulos, i cili pranoi se ka gënjyer FBI-në për kontaktet e tij me zyrtarët rusë në tetor të vitit të kaluar, në një proces gjyqësor të zhvilluar në Washington krahas dënimit me burg është dënuar edhe me 200 orë shërbim në komunitet dhe 9.500 dollarë gjobë.
Në këtë mënyrë Papadapoulos është zyrtari i parë i fushatës zgjedhore të Trumpit i cili dënohet në hetimet për Rusinë të kryera nga prokurori me autoritet special Robert Mueller.
Gjatë seancës gjyqësore duke bërë të ditur se ka bërë një gabim të tmerrshëm, Papadopoulos tha se “Nuk kanë qenë e drejtë dhe mund të kem penguar hetimin”.
Në hetimin i cili vazhdon nën përgjegjësinë e prokurorit special Mueller dhe i cili ka nisur me pretendimin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane përmes një sulmi kibernetik, kanë qenë në fokus disa nga njerëzit e përfshirë veçanërisht në fushatën zgjedhore të presidentit amerikan Trump.
Deri më tani, nga prokurori Mueller janë akuzuar ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, ish-menaxheri i fushatës së Trumpit, Paul Manafort dhe ndihmësi i tij Rick Gates si dhe një nga këshilltarët e politikës së jashtme të fushatës së Trumpit, George Papadopoulos. aa
Ish-Presidenti Barak Obama, i cili ka qëndruar larg syrit të publikut prej momentit që u largua nga Shtëpia e Bardhë, hyri të premten në betejën e zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin me një shprehje të thjeshtë: “Duhet të votoni sepse demokracia jonë varet nga vota juaj”.
“Mjaft të shohësh lajmet kryesore të ditëve të fundit për të kuptuar se ky është një moment vërtet i ndryshëm. Shumë gjëra janë në lojë. Pasojat për secilin prej nesh që qëndron mënjanë janë më të rënda”, u tha zoti Obama studentëve të Universitetit Champaign-Urbana të Ilinoi-it, ku u nderua me një çmim lidhur me etikën në qeverisje.
Duke iu përmbajtur traditës, zoti Obama ka qenë ngurrues për të bërë komente publike ndaj pasuesit të tij presidentit Donald Trump, pavarësisht faktit që ky i fundit ka qenë një kritik i vazhdueshëm i tij.
Ish-presidenti tha se situata aktuale politike në Uashington nuk nisi me Donald Trumpin, ai është vetëm një simptomë dhe jo shkaku. Ai thjesht po shfrytëzon pakënaqësitë që politikanët përhapin prej kohësh. Frikën dhe zemërimin që i ka rrënjët tek e shkuara, por që është produkt i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur gjatë jetëve tona të shkurtra.
Zoti Obama u bëri thirrje studentëve të marrin pjesë në votimet e nëntorit duke theksuar se vetëm një në pesë të rinj me të drejtë vote votuan në zgjedhjet e vitit 2016.
“Ky projekt i vetëqeverisjes do të funksionojë vetëm nëse gjithësecili bën atë që i takon. Mos më thoni se vota juaj nuk ka rëndësi”, tha ish-presidenti.
Dalja e zotit Obama përpara studentëve në kampusin e Ilinoit qendor, është e para nga disa takime të fushatës zgjedhore në javët në vazhdim ku ai do të t’u kërkojë votuesve demokratë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit me qëllim që të marrin kontrollin e Kongresit nga Partia Republikane e Donald Trump-it.
Ekonomia amerikane ka krijuar më shumë vende të punës se që ka planifikuar fillimisht për muajin gusht.
Punësimet në sektorin e ndërtimtarisë dhe shërbimeve profesionale i kanë ndihmuar ekonomisë në rritjen e 201,000 vendeve të punës muajin e kaluar.
Në po të njëjtën kohë, fitimet mesatare për një orë punë janë rritur për 0.4 përqind muajin e kaluar, duke shënuar rritje në vlerën vjetore në 2.9 përqind, njëherësh më të madhen nga viti 2009.
Kjo rritje e pagave mund të rezultojë me një tjetër rritje të normave amerikane të interesit më vonë gjatë këtij muaji.
Përfaqësuesit e Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë rritur normat dy herë këtë vit, pritet të takohen më 25-26 shtator.
Shifra e punësimeve për muajin gusht ka qenë më e lartë në krahasim me 147 000 vendet e punës që janë krijuar në muajin korrik.
Ndërkohë niveli i papunësisë nuk ka ndryshuar, duke qëndruar në 3.9 përqind.
Twiter ka ndaluar përgjithmonë postimet e personalitetit mediatik të krahut të djathtë ekstrem Alex Jones për thyerje të politikave të medias sociale, lidhur me sjelljet abuzive.
Më parë kompania e kishte pezulluar llogarinë e zotit Jones, por tashmë ndalimi i tij është perfundimtar. Alex Jones që njihet si mbështetës i teorive konspirative, ka të rreth 900 mijë ndjekës në twitter. Faqja e tij në internet e quajtur InforWars ka gjithashtu me mijëra ndjekës.
Twiter e akuzon zotin Jones për shkelje të politikave të kompanisë, pasi është parë në televizor duke kritikuar ashpër dhe fyer një gazetar të rrjetit televiziv CNN që priste të hynte në një seancë dëgjimore të Kongresit lidhur me politikat e mediave sociale.