Raporti ende sekret i Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, është mbi 300 faqe, thanë të enjten zyrtarët, ndërsa demokratët kërkuan përsëri që Prokurori i Përgjithshëm, William Barr të publikonte dokumentin e plotë, pasi ai nxorri vetëm një përmbledhje prej katër faqesh fundjavën e kaluar.
“Na trego raportin. Nuk kemi nevojë që ta interpretosh për ne. Duhet të shohim se cilat janë faktet. Nuk kemi nevojë që prokurori i përgjithshëm të interpretojë diçka që duhet të na e japë (të plotë)”, tha Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Zoti Barr citoi vetëm 65 fjalë nga raporti i zotit Mueller në përmbledhje, megjithëse ai përshkroi një pjesë të materialit që prokurori i posaçëm kishte mbledhur.
Në një letër të dielën drejtuar udhëheqësve të Kongresit, që gjithashtu e bëri publike, Prokurori i Përgjithshëm Barr tha se zoti Mueller kishte arritur në përfundimin se Presidenti Donald Trump dhe fushata e tij nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë për ta ndihmuar atë të fitonte, por nuk kishte ndonjë përfundim nëse zoti Trump, si president kishte penguar drejtësinë, duke u përpjekur të frenonte hetimin.
“Megjithëse raporti nuk arrij në përfundimin se Presidenti ka kryer krim, ai nga ana tjetër nuk e nxjerr atë të pafajshëm”, citoi zoti Barr raportin e zotit Mueller.
Nisur nga interpretimi i tyre i raportit, zoti Barr dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein vendosën që nuk akuzat kundër Presidentit Trump, nuk do të ishin të përligjura.
Por besohet se asnjë ligjvënës nuk e ka parë raportin.
Pavarërisht nga fakti që zoti Mueller nuk kishte arritur ndonjë përfundim për pengimin e drejtësisë, zoti Trump këtë javë ka pretenduar shfajësim të plotë, duke thënë se zoti Mueller nuk kishte gjetur “as bashkëpunim të qëllimshëm, as pengim, asgjë!”
Zoti Barr tha në përmbledhjen e tij se do të bënte publike të gjithë atë pjesë të raportit, sa ç’lejojnë rregullat e Departamentit të Drejtësisë, pasi të redaktohet materiali i klasifikuar sekret dhe dëshmitë konfidenciale që ka dëgjuar një juri e madhe dhe hetuesit e grupit të punës të drejtuar nga zoti Mueller.
Demokratët kanë kërkuar që ai t’ia dorëzojë raportin Kongresit deri të martën, por zoti Barr i tha kryetarit demokrat të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerrold Nadler, se raporti do të dorëzohet brenda “javësh, jo muajsh”. Megjithatë, zoti Barr ra dakord të dëshmonte para komisionit të drejtuar nga zoti Nadler për raportin.
Pas përfundimit të Prokurorit të Posaçëm, Mueller se zoti Trump dhe fushata e tij, nuk kishin bërë konspiracion me Rusinë, presidenti dhe aleatët e tij republikanë, sulmuan të enjten një nga kritikët më të ashpër të presidentit, kreun demokrat të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, Adam Schiff, që ka vazhduar të këmbëngulë se veprimet e zotit Trump para dhe pas zgjedhjeve, përbënin bashkëpunim të qëllimshëm me Rusinë.
“Kongresmeni Adam Schiff, që prej dy vjetësh vazhdon me vetëdije dhe në mënyrë të paligjshme të gënjejë dhe të nxjerrë informacion, duhet të detyrohet të japë dorëheqjen nga Kongresi”, tha Presidenti Trump në Twitter.
Në një shfaqje të rrallë mllefi, nëntë republikanët e pakicës në komisionin që ai drejton, i thanë zotit Schiff, një kongresmen nga Kalifornia, se nuk kishin “besim” tek drejtimi i tij i Komisionit të Zbulimit dhe kërkuan dorëheqjen e tij.
Zoti Schiff refuzoi i indinjuar dhe tha se disa nga veprimet e zotit Trump dhe ndihmësve të tij, përbënin “bashkëpunim të qëllimshëm” dhe “komprometim”.
Ai përmendi një sërë kontaktesh të fushatës së zotit Trump me Rusinë, përfshirë takimin e të birit të tij, Donald Trump Jr. me një kontakt rus që kishte premtuar informacion inkriminues ndaj rivales së tij demokrate, Hillary Clinton dhe diskutimet e ish-këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, para se zoti Trump të fillonte detyrën në fillim të vitit 2017.
“Ju mund të thoni që kjo nuk përbën problem. Mund të thoni se pikërisht kjo ju duhet që të fitoni, Por unë nuk mendoj kështu. Mendoj se është e pamoralshme, Mendoj se është joetike. Mendoj që është jopatriotike dhe po, mendoj se është korruptive dhe provë e një bashkëpunimi të qëllimshëm”, u tha ai anëtarëve republikanë të Komisionit.
“E kam thënë gjithmonë se pyetja nëse kjo përbën konspiracion, është tjetër çështje. Por unë nuk mendoj se një sjellje e tillë – qoftë kriminale ose jo – është e pranueshme. Dhe dita kur kjo do të na duket e pranueshme, do të jetë dita kur Amerika të ketë dalë nga udha e saj”, shtoi ai.