VOAL

VOAL

SHBA rrit shpenzimet për ushtrinë

Ushtarë amerikanë.

Shpenzimet për ushtrinë amerikane janë rritur për herë të parë në shtatë vjet, duke reflektuar kështu politikën e administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është thënë në një raport të publikuar të hënën nga Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm (SIPRI).

Sipas raportit, shpenzimet për ushtri janë rritur në gjithë botën një vit më parë, në rreth 2.6 përqind apo 1.8 trilion dollarë.

Ky njëherësh ka qenë viti i dytë që ka shënuar rritje në shtimin e fondeve për këtë sektor, duke rezultuar me shpenzimet më të larta ushtarake nga viti 1988.

“Rritja e shpenzimeve në Shtetet e Bashkuara është nxitur nga zbatimi i programit të ri për armët nën administratën e Trumpit, që daton nga viti 2017, ka thënë drejtori i programit për armët në këtë Institut, Aude Fleurant.

Shtetet e Bashkuara me një shifër të rritjes prej 649 miliardë dollarë, kanë tejkaluar edhe buxhetet ushtarake të tetë shteteve tjera në listë.

Kina po ashtu ka rritur shpenzimet për 83 për qind nga viti 2009, duke u renditur e dyta në listë, e përcjellur nga Arabia Saudite, India, e cila është duke modernizuar forcat e saj të armatosura dhe Franca.

Bazuar në gjetjet e raportit, Rusia nuk gjendet më në pesë vendet e para të listës, pasi buxheti i saj ushtarak është zvogëluar nga viti 2016.

Sanksionet e vendeve perëndimore kundër Rusisë, të vendosura prej vitit 2014, për shkak të konfliktit të saj me Ukrainën, është thënë të kenë ndikuar edhe në këtë buxhet.

Ndahet nga jeta Richard Lugar, senatori republikan mik i Kosovës dhe i shqiptarëve

Ish-senatori shumëvjeçar amerikan nga shteti i Indianës, Richard Lugar, i cili u kishte ndihmuar kosovarëve për t’u çliruar, ka ndërruar jetë të dielën. Ai ka vdekur në një qendër mjekësore në Virxhinia, në moshën 87-vjeçare.

Lugar ishte një prej zërave më të fuqishëm rreth politikës së jashtme amerikane.

Bashkë me John McCainin, Lugar ishte në pakicën republikane që përkrahu presidentin amerikan, Bill Clinton, në fushatën e NATO-s, të udhëhequr prej tij, për intervenim kundër Serbisë, për të shpëtuar popullin e Kosovës në pranverë të vitit 1999.

Kishte mbështetur, veç Kosovës, edhe përpjekjet për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut, përpjekjet për të rrëzuar diktatorin filipinas, Ferdinand Marcos, dhe përpjekjet për të siguruar armët e shkatërrimit në masë të ish-Bashkimit Sovjetik.

Lugar ka vdekur pas komplikimeve nga polineuropatia demielinizuese inflamatore kronike, një çrregullim neurologjik, ka bërë të ditur Qendra Lugar, një organizatë jofitimprurëse nga Uashingtoni, e përqendruar në çarmatimin bërthamor, sigurinë e ushqimit dhe çështje të tjera rreth të cilave kishte punuar senatori në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Express/

Christopher Wray: Rusia vazhdon të paraqesë një rrezik të madh për zgjedhjet presidenciale të SHBA të vitit 2020

VOAL – Rusia vazhdon të paraqesë një rrezik të madh për zgjedhjet presidenciale të SHBA të vitit 2020. Këtë e konfirmoi drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Wray duke folur në Uashington para Këshillit të Bashkëpunimit të Jashtëm (CFR), ka pohuar që Rusia, ashtu si në rastin e presidencialeve të vitit 2016, ka kërkuar të influencojë edhe në zgjedhjet “afatmesme”, por pa arritur të ndërhyjë në infrastrukturën e zgjedhjeve.

Kryetari i hetimit federal theksoi prirjen intensive të Rusisë për të përdorur “në rrjetet sociale profilet e rreme, lajmet e rreme dhe propagandën”.

Për të forcuar operacionet e kundërspiunazhit dhe penguar ndërhyrjet e reja në votim, është shtuar numri i agjentëve dhe i analistëve informatikë. ATS

Maria Butina dënohet me 18 muaj burg

Një gjykatë në Uashington dënoi me 18 muaj Maria Butinën, aktivisten ruse për të drejtat e armëmbajtjes, e cila ishte përpjekur të depërtonte në qarqet politike konservatore amerikane dhe nuk ishte regjistruar si përfaqësuese e huaj.

30-vjeçarja Butina kishte kërkuar një dënim të barabartë me kohën e burgimit që kishte vuajtur deri tani si dhe deportim, meqenëse kishte rënë dakord të bashkëpunonte me prokurorët amerikanë.

Në dhjetor, ajo pranoi fajin se në bashkëpunim me një zyrtar të lartë rus ishte përpjekur të depërtonte në Shoqatën Kombëtare të Armëve dhe në qarqet politike konservatore amerikane për llogari të Kremlinit nga viti 2015 deri sa u arrestua në korrik 2018.

Ajo është shtetasja e parë ruse e shpallur fajtore se u përpoq të ndikonte politikën amerikane në prag të zgjedhjeve të 2016-s.

Butina pranoi se punonte si agjente e padeklaruar e një qeverie të huaj, por nuk u akuzua për spiunazh.

Gjykatesja federale Tanya Chutkan që dha dënimin të premten tha se Butinës do t’i njihet periudha që ka qëndruar në paraburgim dhe se do të deportohet në Rusi me të kryer dënimin me burg.

Butina, e veshur me uniformën e burgut, reagoi duke shprehur emocione ndaj vendimit. Ajo u lut që ndaj saj “të tregohej mëshirë dhe që t’i jepej shansi të kthehej në shtëpi për të rindërtuar jetën e saj’. Por gjykatësja Chutkan tha se vendimi për dënimin e Maria Butinës ishte marrë për shkak të seriozitetit të veprës penale që ajo kishte kryer.

Gjykatësja tha se megjithëse Butina nuk ishte spiune dhe kishte bashkëpunuar me hetuesit, veprimet e saj kishin vënë në rrezik sigurinë kombëtare të Amerikës.

Çfarë sjell kandidatura e ish-nënpresidentit Biden?

Ish-nënpresidenti Joe Biden shpalli dje zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të 2020. Ai renditet në anketa në krye të 20 pretendentëve për të marrë emërimin e Partisë Demokrate. Por zoti Biden futet në garë pas dy konkurrimeve të dështuara për Shtëpinë e Bardhë dhe tani përballet me pikëpyetje serioze për moshën e avancuar, qëndrimet e tij politike dhe aftësinë për të tërhequr një brez të ri amerikanësh që përfaqësojnë një elektorat më të larmishëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone ka përgatitur materialin:

Joe Biden u fut në garë pasi shpalli kandidaturën përmes një videoklipi ku sulmonte Presidentin Donald Trump:

“Nëse e zgjedhim Donald Trumpin për tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe në mënyrë rrënjësore karakterin e vendit. Unë nuk mund të rri pasiv dhe ta lejoj një gjë të tillë”.

Zoti Biden u ndal në veçanti tek komentet e presidentit që janë kritikuar gjerësisht, pas përleshjeve të dhunshme mes supremacistëve të bardhë dhe kundër-protestuesve në Sharlotsvill të Virxhinias në 2017.

Presidenti tha se nga të dyja palët kishte “njerëz shumë të mirë”.

Muajin e kaluar, ndërkohë që zoti Biden po mbante fjalim në Uashington, disa anëtarë të një sindikate zjarrfikësish i bënë thirrje të futet në garë.

“Nuk dorëzohet njeri në Amerikë. Nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur kurrë, falë jush,” tha zoti Biden.

Politikani veteran po fillon fushatën e tij të tretë presidenciale me një epërsi të vogël, thotë analisti Jim Kessler:

“Ai është në krye të pretendentëve. Nuk ka ndonjë epërsi të madhe siç kishte Hillary Clinton kur u duk që në fillim se ajo e kishte të siguruar. Njerëzit e duan vërtetë zotin Biden dhe besojnë se ai mund ta mundë presidentin”.

Zoti Biden duhet fillimisht të fitojë në garë me pretendentët e tjerë demokratë, ku ka një numër grash dhe përfaqësues të pakicave që po përpiqen të tërheqin votuesit e rinj, thotë eksperti Matt Dallek:

“Është një grup konkurrentësh shumë interesantë; ka shumë kandidatë të fortë. Ka plot prej këtyre pretendentëve me shanse reale për të dalë në krye”.

Zoti Biden është vënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit pasi një numër grash thanë se në reagime të drejtpërdrejta ai është sjellë në një mënyrë që i kanë vënë në siklet. Ai është zotuar të tregohet më i kujdesshëm në të ardhmen.

Shumë demokratë e shohin zotin Biden si të moderuar. Ai shpreson se roli si nënpresident në administratën Obama do ta ndihmojë të tërheqë elementin progresiv në parti.

“Të gjithë më pyesin se çfarë soj demokrati jam. Jam demokrat i tipit Obama-Biden dhe e them me krenari,” tha zoti Biden.

Analisti Jim Kessler thotë se epërsia që gëzon do ta bëjë zotin Biden edhe objekt sulmesh:

“Përnjëherësh do të fillojnë sulmet, pasi kandidatët e tjerë do të mendojnë se duke e goditur atë, duke e ulur në anketa, do të dalin vetë në krye”.

Presidenti Trump e përshëndeti zotin Biden për përfshirje në garë, duke postuar një koment në Twitter ku e quante “Bideni gjumash”.

Zoti Biden është 76-vjeç. Mosha e avancuar dhe karriera e gjatë si senator mund t’i sjellin probleme, thotë analisti Bill Sweeney.

“Fushatat shohin drejt së ardhmes, jo nga e shkuara. Demokratët do të fitojnë, nëse mbeten të përqëndruar tek e ardhmja”.

Është vetëm fillimi, por për momentin duket se strategjia e zotit Biden po i bind demokratët se ai është kandidati më i mirë për ta mundur Presidentin Trump vitin e ardhshëm.

Joe Biden – hapi fushatën për zgjedhjet presidenciale 2020

Ish nënpresidenti amerikan, Joe Biden, u bashkua zyrtarisht të enjten në garën e ngushtë të demokratëve për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm në Shtetet e Bashkuara.

Ai e shpalli vendimin në një video të postuar në rrjetin twitter, duke deklaruar se “jemi në betejë për shpirtin e këtij kombi”.

“Nëse iu japim Donald Trumpit tetë vjet në Shtëpinë e Bardhë, ai do të ndryshojë përgjithmonë dhe rrënjësisht karakterin e këtij kombi. Nuk mund të rri e të shoh se çfarë po ndodh”, tha ai.

Tashmë janë bërë 20 kandidatë demokratë që luftojnë për të fituar kandidaturën për zgjedhjet presidenciale, ndërsa emra të tjerë më pak të njohur mund t’i bashkohen garës.

Joe Biden, 76 vjeçar, bëhet ndër kandidatët kryesorë bashkë me senatorin nga Vermonti, Bernie Sanders, i cili udhëheq në shumë anketa dhe është dëshmuar si mbledhës i mirë fondesh.

Në mesin e demokratëve, zoti Biden ka përvojë ndërkombëtare dhe legjislative të pashoqe dhe është ndër fytyrat më të njohura në politikën e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Trump kërcënon t’i drejtohet Gjykatës së Lartë për procesin e shkarkimit

Presidenti amerikan, Donald Trump, në rastin e fundit të shmangies së normave kushtetuese, po kërëcnon se do ta paraqesë çështjen e tij në mënyrë paravepruese në Gjykatën Kushtetuese nëse Dhoma e Përfaqësuesve shqyrton mundësinë e hapjes së procesit të shkarkimit të mundshëm.

“Nëse demokratët përpiqen ndonjëherë të hapin procesin e shkarkimit, unë do t’i drejtohesha në fillim Gjykatës së Lartë”, shkruante presidenti Trump në Twitter.

“Jo vetëm që nuk bëhet fjalë për ‘krime dhe shkelje të rënda’, por nuk ka asnjë krim nga ana ime”, thotë presidenti në dy mesazhe në Twitter, në komentet e tij të fundit lidhur me raportin e Prokurorit të Posaçëm pas hetimit dyvjeçar për të përcaktuar nëse kishte pasur konspiracion mes fushatës të presidentit Trump në vitin 2016 dhe Rusisë.

Që nga publikimi i raportit të redaktuar, demokratët që kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë, kanë debatuar nëse të fillojnë procesin e shkarkimit kundër presidentit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi po bën thirrje për përmbajtje, megjithëse disa anëtarë të partisë së saj shqetësohen se demokratët do të paguajnë një çmim politik me votuesit liberalë nëse nuk hapin procedure e shkarkimit të mundshëm.

Rolet e Dhomës së Përfaqësuesve, Senatit, Gjyjkatës së Lartë

Kërcënimi i Presidentit Trump për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë, i habit tre ekspertë konstitucionalë, të kontaktuar nga Zëri i Amerikës të mërkurën. Ata nuk mendojnë se Gjykata e Lartë do të ndërhyjë.

“Themeluesit (e Kushtetutës) në vitin 1787, e konsideruan mundësinë t’i jepnin një rol Gjykatës në procesin e shkarkimit, por e hodhën poshtë me vetëdije të plotë”, i tha Zërit të Amerikës profesori i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Harvardit, Laurence Tribe.

FILE – President Donald Trump speaks to members of the media on the South Lawn of the White House in Washington, before boarding Marine One helicopter, April 10, 2019.

“Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin – dhe me të drejtë sipas mendimit tim – se procesi i shkarkimit është një çëshje politike, që Kushtetuta ia ka lënë Kongresit, jo një çështje ligjore që mund të vendoset në gjykata. Kështu, çdo kërkesë e tillë nga Presidenti Trump, është pothuajse e sigurt që do të hidhej poshtë”, bie dakord Robert Pushaw, një profesor i së drejtës në Universitetin Pepperdine.

“Në Kushtetutë thuhet se Dhoma e Përfaqësuesve ‘do të jetë e vetmja që do të ketë të drejtën e procesit të shkarkimit dhe autoritetin të përcaktojë rregullat e veta të procesit’. Kështuqë kjo duket se i përjashton gjykatat”, i tha Zërit të Amerikës studiuesi ligjor i Fondacionit Heritage, Thomas Jipping, ish-kryekëshilltar ligjor i Komisionit Juridik të Senatit.

“Megjithatë, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të gjithë kanë një detyrim të sigurohen që përgjegjësi të tilla kushtetuese të mos merren peng për symime politike”, shton ai.

Në vitin 1993, edhe vetë Gjykata e Lartë vendosi që gjykatat nuk do të kishin rok në procesin e shkarkimit.

Pas çdo procesi të tillë në Dhomën e Përfaqësuesve, sipas ligjit , Senati që aktualisht kontrollohet nga republikanët, do të kishte përgjegjësinë për të përcaktuar nëse presidenti duhet të shpallet fajtor.

Në historinë amerikane, senati ka votuar vetëm dy herë për të përcaktuar nëse një president do të shkarkohej. Si për Andrew Johnson në vitin1868 edhe Bill Clinton në vitin 1999, të gjitha akuzat u rrëzuan.

Presidenti Trump, që kur filloi fushatën presidenciale në vitin 2015, pa përvojë politike, është shkëputur nga rregullat konvencioanle si në retorikë, ashtu edhe në veprime, duke entusiazmuar përkrahësit dhe indinjuar kundërshtarët.

New York Times: Çështja e ndërhyrjes ruse, delikate për t’u ngritur para Presidentit Trump

Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller arriti në përfundimin se Rusia ishte angazhuar në ndërhyrje “të gjera dhe sistematike” në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar Donald Trumpin të bëhej president, por gazeta The New York Times, shkruante të mërkurën se kjo çështje vazhdon të jetë shumë delikate për t’u diskutuar para zotit Trump, përsa i takon asaj që mund të bëjë Moska kur ai të kërkojë një mandat të dytë në vitin 2020.

Ish-Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen u përpoq t’ua kthente vëmendjen zyrtarëve të lartë amerikanë tek përpjekjet për të frenuar ndikimin rus në zgjedhjet e vitit të ardhshëm në muajt para se zoti Trump ta detyronte të jepte dorëheqjen në fillim të prillit, pas përplasjeve për politikat e imigracionit, sipas gazetës.

Por The New York Times citon një zyrtar të lartë të administratës së Presidentit Trump të thotë se shefi i personelit në detyrë, Mick Mulvaney paralajmëroi zonjën Nielsen që të mos ta ngrinte këtë çështje para zotit Trump, që e ka barazuar diskutimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 me pikëpyetjet nëse fitorja e tij ishte legjitime.

Gazeta citon zyrtarin të thtë se zoti Mulvaney i tha zonjës Nielsen se ndërhyrja ruse në zgjedhjet e ardhshme “nuk ishte ndonjë temë për të qenë dhe duhej mbajtur nën nivelin e presidentit”.

Zoti Mulvaney e kundërshtoi këtë variant duke thënë: “Nuk mbaj mend të ketë ndodhur asgjë të ngjashme në ndonjë mbledhje”.

Ai fajësoi paraardhësin e zotit Trump, ish-presidentin Barack Obama, se nuk ishte ballafaquar me forcë me Moskën lidhur me ndërhyrjen e vazhdueshme në zgjedhje, megjithëse zoti Obama dhe të tjerë e kishin ngritur çështjen para zgjedhjeve të vitit 2016.

Prokurori i Posaçëm, Mueller arriti në përfundimin se ndërhyrja ruse në zgjedhjet e vitit 2016 election ishte shumë e përhapur, përfshirë postime të rreme në faqe të rrjeteve sociale me synimin për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj rivales demokrate Hillary Clinton, dhe depërtimin dhe publikimin e emaileve të shkruara nga zyrtarët demokratë, që e shfaqnin zonjën Clinton nën dritë të keqe.

Por prokurori arriti gjithashtu në përfundimin se megjithëse kishte kontakte të shumta mes këshilltarëve të fushatës të zotit Trump dhe rusëve, as Presidenti Trump as fushata e tij nuk kishin konspiruar me Rusinë.

Jared Kushner, një këshilltar i Shtëpisë së Bardhë dhe dhëndër i zotit Trump tha të martën se hetimi 22 mujor i zotit Mueller i kishte sjellë më shumë dëm Shteteve të Bashkuara sesa ndëryrja ruse në zgjedhje.

“Po të shohësh atë që bëri Rusia, blerjen e disa reklamave në Facebook dhe përpjekje për të shkaktuar përçarje. Është e tmerrshme. Por mendoj se hetimet dhe gjithë spekullimet që janë bërë këto dy vjet, kanë pasoja më të rënda për demokracinë tonë sesa disa reklama në Facebook”, tha zoti Kushner.

Shtëpia e Bardhë nuk publikon të dhënat për taksat e Trumpit

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të përmbushë afatin e fundit, ashtu që t’i dorëzojë Kongresit amerikan, të dhënat për kthimin e taksave të presidentit amerikan, Donald Trump.

Kryesuesi i Komitetit për Mjete i Dhomës së Përfaqësuesve, Richard Neal ka thënë së dështimi për të përmbushur afatin e fundit, në këtë rast 23 prillin, mund të konsiderohet si refuzim i kërkesës.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se nuk dëshiron që të publikohen të dhënat e tij dhe ka kërkuar që të mos publikohen shifrat për kthim taksash, derisa ai është nën proces të auditimit.

Demokratët në anën tjetër kanë kërkuar që kjo përgjigjje të shoqërohet me masë ligjore.

“Presidenti ka qenë shumë i qartë: Sapo të përfundojë procesi i auditimit, ai do të konsiderojë këtë çështje”, ka thënë zëvendës-sekretari i Shtëpisë së Bardhë për Media, Hogan Gidley për Fox News.

“Ai nuk ka gatishmëri për ta bërë këtë gjë tani”.

Neal i kishte dhënë fillimisht Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave afat deri më 10 prill për të raportuar për kthimin e taksave të presidentit nga viti 2013 deri më 2018.

Afati më pas është shtyrë deri më 23 prill, pasi administrata e Trumpit ka dështuar që të zbatojë këtë kërkesë.

Shumica e presidentëve amerikanë kanë kryer shërbimet e taksave nga viti 1970, pavarësisht pse një gjë e tillë nuk kërkohet me ligj.

Një nga ndihmësit kryesorë të presidentit Trump ka thënë gjatë këtij muaji se demokratët “nuk do të shohin kurrë” kthimin e taksave të presidentit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin i ka thënë kryesuesit Neal se departamenti do të marrë një vendim final më 6 maj lidhur me këtë çështje.

Demokratët kanë paralajmëruar se mund të marrin ndonjë masë ligjore, përfshirë thirrje të detyrueshme për intervisitim dhe sigurim të të dhënave financiare, nëse presidenti ende mban qëndrim të njëjtë, hap i cili do të niste betejë mes dy palëve në gjykata.

Presidenti Trump takon shefin e Twitterit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë, shefin e rrjetit social Twitter, Jack Dorsey.

Përmes një komunikate, Twitter tha se Trump dhe Dorsey diskutuan për “mbrojtjen e gjuhës së shëndoshë në komunikimin publik” para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Më herët presidenti Trump kishte akuzuar Twitterin se është “shumë diskriminues” ndaj tij.

Por presidenti e quajti bisedën me shefin e Twitterit si një “takim të mrekullueshëm”.

“Shumë tema u diskutuan lidhur me rrjetin e tyre, dhe mediat sociale në përgjithësi”, shkroi Trump.

Great meeting this afternoon at the @WhiteHouse with @Jack from @Twitter. Lots of subjects discussed regarding their platform, and the world of social media in general. Look forward to keeping an open dialogue! pic.twitter.com/QnZi579eFb
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) April 23, 2019

Kushner: Hetimet për përfshirjen ruse në zgjedhje dëmtuan demokracinë në SHBA

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner tha se hetimet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA më shumë “kanë ndikuar në demokracinë amerikane” sesa vetë veprimet e Rusisë.

Njëri ndër zërat më me ndikim në Shtëpinë e Bardhë minimizoi përfshirjen ruse në zgjedhje duke e përshkruar atë si “blerje të disa reklamave në Facebook” si dhe përpjekje për të “mbjellur mospajtime”.

Deklaratat e Kushnerit bëhen disa ditë pas publikimit të versionit të redaktuar të raportit të këshilltarit special Robert Mueller mbi përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikanë në vitin 2016.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner tha se ekipi i fushatës së presidentit Trump “nuk ishte në dijeni për veprimet e Rusisë”.

Trumpi ngre padi për të bllokuar informacione mbi të dhënat e tij financiare

Presidenti amerikan Donald Trump, ngriti të hënën një padi me qëllimin për të bllokuar përpjekjet e një komisioni ligjvënësish të cilët kanë kërkuar zyrtarisht informacion mbi të dhënat personale dhe të biznesit të tij, prej firmës së kontabilitetit që ka trajtuar prej vitesh çështjet financiare të zotit Trump.

Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Elijah Cummings, po kërkon informacion financiar për tetë vjet nga kompania “Mazars USA”. Por në padinë e presidentit dhe korporatës së tij, “Organizata Trump”, thuhet se autorizimi zyrtar i komisionit “është i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm për shkak se nuk ka qëllime ligjore legjislative”.

Në padi thuhet gjithashtu se, “në vend që të punonin me presidentin për të miratuar ligje të mbështetura nga të dyja palët, prej të cilave do të përfitonin amerikanët, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesvepo përpiqen me ngulm të gjejnë diçka që ta përdorin për të dëmtuar politikisht presidentin”.

SHBA rrit presionin mbi Iranin, ia godet eksportet e naftës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vendosi të mos i zgjasë masat lehtësuese që iu mundësojnë importuesve të blejnë naftë nga Irani, pa u përballur me sanksionet e SHBA-së.

Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të ndërmarrin veprime në kohë, për të siguruar plotësimin e nevojave globale kur nafta iraniane të hiqet nga tregu”.

“Ky vendim synon t’i çojë eksportet e Iranit në zero, duke e privuar regjimin nga burimi kryesor i të ardhurave”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi nënkupton që masat lehtësuese për pesë vende, përfshirë Kinën, Indinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Turqinë, nuk do të vazhdojnë pasi të skadojnë më 2 maj.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Iranin si sponsorizues të terrorizmit global.

“Do të vazhdojmë të aplikojmë presion maksimal ndaj regjimit iranian, derisa udhëheqësit e tij të ndryshojnë sjelljen shkatërruese, të respektojnë të drejtat e popullit iranian dhe të kthehen në tryezën e negociatave”, tha përmes një deklarate sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Eksportet e naftës janë burimi kryesor i të ardhurave për Teheranin, i cili është goditur rëndë nga rivendosja e sanksioneve të SHBA-së, prejse kjo e fundit është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, vitin e kaluar.

SHBA, meteorologët konfirmuan katër tornado në Virxhinia

Shërbimi nacional meteorologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) bëri të ditur se Reston, Fredericks Hall, Barham dhe Forksville janë goditur nga tornado.

Autoritetet theksojnë se janë dëmtuar pemë, shtëpi dhe disa objekte të vogla.

Sistemi i fuqishëm i stuhive të premten depërtoi në jug dhe kërcënoi të sjellë tornadon në pjesë të mëdha të Karolinës dhe të Virxhinias jugore. Në Florida u regjistrua një rast vdekje i një vajze tetë vjeçare. aa

Pyetje të reja për rolin e Presidentit pas publikimit të raportit Mueller

Jim Malone

Pas një hetimi prej 22 muajsh, publiku dhe kongresi amerikan arritën të shohin të enjten raportin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Raporti nuk gjeti prova për konspiracion mes fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Rusisë, por zoti Mueller dhe ekipi i tij nuk mundi të përcaktonte nëse presidenti ishte përpjekur të pengonte drejtësinë.

Demokratët e opozitës po marrin shkas nga çështja e pengimit të drejtësisë në raport, për të këmbëngulur për hetime të mëtejshme në Kongres.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ishte entuziast pas publikimit të raportit:

“Është një ditë e mirë. U arrit përfundimi: jo bashkëpunim i qëllimshëm, jo pengim drejtësie. Asnjëherë nuk kishte dhe nuk do të ketë”.

Por raporti paraqet një tablo të ndryshme për çështjen e pengimit të drejtësisë, duke përmendur disa raste kur presidenti u përpoq të ndikonte tek hetimi.

Në një rast, zoti Trump urdhëroi juristin e Shtëpisë së Bardhë Don McGahn që të realizonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller, thotë Chad Day i agjencisë Associated Press:

“McGahn e kundërshtoi këtë përpjekje, por tregon se si presidenti, dhe raporti e citon atë, e konsideronte hetimin si një fund të mundshëm të presidencës së tij dhe diçka që do të kërcënonte pushtetin e tij”.

Raporti përshkruan kontakte të shumta mes bashkëpunëtorëve të fushatës së zotit Trump dhe rusëve në vitin 2016, por arrin në përfundimin se kishte mungesë provash për konspiracion criminal mes fushatës dhe Rusisë.

Por zoti Mueller nuk bën vetë një gjykim nëse presidenti u përpoq të pengonte drejtësinë. Raporti nuk arriti në përfundimin se zoti Trump kreu ndonjë krim, por as nuk e shfajëson atë.

Përfundimisht ishte Prokurori i Përgjithshëm, William Barr që vendosi që të dhënat për pengim të drejtësisë nuk justifikonte masa të mëtejshme ligjore.

“Përveç çështjes nëse këto veprime ishin penguese, prova e motiveve jokorruptive është shumë më e fortë sesa çdo akuzë se presidenti kishte synime korruptive për të penguar hetimin”, thotë zoti Barr.

Demokratët ishin të shqetësuar nga detajet e pengimit të mundshëm të drejtësisë dhe menjëherë u zotuan se do të hetonin më tej, siç tha kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerold Nadler.

“Prokurori i Posaëçm e bën të qartë se ai nuk e ka shfajësuar presidentin dhe përgjegjësia bie tani mbi Kongresin që ta vërë presidentin para përgjegjësisë për veprimet e tij. Kongresi duhet të marrë një raport të plotë, të paredaktuar së bashku me të dhënat e zbuluara nga prokurori i posaçëm, Mueller”.

Pyetjet e mbetura për pengimin e drejtësisë mund të vazhdojnë të hedhin një hije dyshimi mbi Shtëpinë e Bardhë, thotë analisti ligjor David Abraham:

“Nuk jam i sigurt që përfundimet përbëjnë një fitore për presidentin. Por ato pretendime bien ndesh si në faktet që kanë të bëjnë me efektivitetin e ndërhyrjeve ruse, ashtu edhe me përmasat e përpjekjeve të pengimit nga Shtëpia e Bardhë, që nga presidenti edhe më poshtë”.

Përplasjet e vazhdueshme për raportin Mueller, lënë të kuptohet se debati ligjor dhe politik mbi veprimet zotit Trump, mund të zvarritet për një kohë të pacaktuar, thotë analisti politik, Bill Sweeney.

“Nëse kjo vazhdon për javë dhe muaj me radhë, do të jetë një çështje tjetër përçarëse në një vend që është i përçarë”.

Prokurori i Përgjithshëm Barr ka marrë thirrje për të dëshmuar në Kongres muajin e ardhshëm dhe demokratët duan gjithashtu që edhe vetë Prokurori i Posaçëm Mueller të dalë në seancë në të ardhmen e afërt.

SHBA, demokratët kërkojnë raportin Mueller të paredaktuar

Në SHBA, demokratët e Kongresit kërkuan të njihen me të gjitha provat e hetimit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Kryetari i komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të dorëzojë raportin e plotë të zotit Mueller, duke thënë se ai nuk mund të pranojë një variant të redaktuar që u publikua të enjten i cili lë “shumicën e Kongresit pa informacionin e duhur lidhur me çështjen”.

Komisioni ka nevojë dhe gëzon të drejtën e variantit të plotë të raportit si dhe të dëshmive bazë në përputhje me praktikat e kaluara. Redaktimet duket të jenë të mëdha. Deri tani nuk kemi parë asnjë nga dëshmitë që Prokurori i Posaçëm ka pasur për të ngritur këtë çështje“, tha zoti Nadler në një deklaratë.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka karakterizuar hetimin e zotit Mueller si një “gjueti shtrigash”. Në një postim në Twitter të premten ai e kritikoi sërish raportin, duke shkruar se “raporti i çmendur i Mueller-it” është përgatitur nga “18 demokratë të inatosur dhe që urrejnë atë dhe se sipas tij, në raport thuhen “budallallëqe” rreth tij.

Në raport jepen hollësi mbi përpjekjet e zotit Trump për të penguar hetimin e zotit Mueller mbi Rusinë, duke u dhënë mjaft demokratëve “municion politik” kundër presidentit republikan.

Raporti prej 448 faqesh bën një pasqyrë të qartë se si Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte hetimin, por nuk dilte në përfundimin se zoti Trump ka kryer krimin e pengimit të drejtësisë, megjithëse nuk e shfajsonte atë nga kjo gjë.

Raporti për Rusinë: Demokratët vazhdojnë presionin me Trumpin

Demokratët në Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi presidentin Donald Trump, edhe pas publikimit të raportit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Ata duan që Robert Mueller, këshilltari i posaçëm që ka hartuar raportin, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për punën që ka bërë.

Mueller konfirmoi gjetjet e inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që i ka fituar Trump dhe dokumentoi përpjekjet e presidentit për të minuar hetimin e tij. Por Mueller nuk tha se Trump ka bashkëpunuar me zyrtarët rusë.

Gjetjet e tij u detajuan në një raport 448 faqesh, pjesërisht të redaktuar, që u publikua të enjten.

Ky raport po ashtu nxori në pah fushat ku Trump dhe bashkëpunëtorët e tij mund të përballen ende me probleme ligjore.

Raporti u mirëprit nga Trumpi, i cili rikujtoi deklaratat e tij se ai dhe bashkëpunëtorët e tij as nuk kanë bashkëpunuar me zyrtarët rusë, as nuk kanë bërë përpjekje të pengonin hetimet.

Duke folur në një ngjarje për veteranët, Trump tha se po kalon një “ditë të mirë”, duke shtuar se nuk ka pasur “asnjë bashkëpunim” me Rusinë dhe as pengim të drejtësisë.

Publikimi i raportit mbyll një kapitull të hetimeve që hodhi hije mbi presidencën e Trumpit, madje edhe përpara se të merrte detyrën.

Megjithatë, udhëheqësit demokratë të Kongresit, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, përmes një deklarate të përbashkët, thanë se raporti paraqet “një imazh shqetësues të një presidenti me një varg mashtrimesh, gënjeshtrash dhe sjelljesh të pahijshme”.

Ata po ashtu thanë se “Kongresi duhet të vlerësojë sjelljen e padrejtë, korruptive dhe imorale të presidentit, në përpjekje për të penguar hetimet”.

Demokrati numër dy i Dhomës së Përfaqësuesve, Steny Hoyer, tha se nxjerrja e presidentit në votëbesim nuk ia vlen, pasi zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen në nëntor të vitit të ardhshëm.

“Bazuar në atë që kemi parë deri më tash, votëbesimi nuk ia vlen. Zgjedhjet do të mbahen pas 18 muajsh dhe populli amerikan do të gjykojë”, tha Hoyer për CNN-in.

Përfaqësuesi demokrat, Jerrold Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, kërkoi që Kongresi të ketë raportin e plotë, të paredaktuar të Muellerit.

“Këshilltari i posaçëm e bën të qartë se nuk e ka shfajësuar presidentin dhe tani përgjegjësia është te Kongresi, për ta bërë presidentin përgjegjës për veprimet e tij. Kongresi duhet ta ketë raportin e plotë, të paredaktuar, së bashku me provat e mbledhura nga këshilltari i posaçëm, Mueller”, tha Nadler.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Përpara publikimit të raportit, prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, mbajti një konferencë për media në Uashington, ku dha detaje mbi raportin.

Barr tha se hetimet nuk kanë gjetur prova se Trump ose anëtarët e fushatës së tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhje.

Barr, i cili ka publikuar një përmbledhje prej katër faqesh të raportit në fund të muajit të kaluar, po ashtu tha se raporti i Muellerit nuk paraqet asnjë dëshmi se Trump ka bërë përpjekje të pengojë drejtësinë.

Përgatiti: Valona Tela

Raporti: Trumpi u përpoq të largonte Prokurorin e Posaçëm

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi hetimin e tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 që u publikua të enjten tregon se Presidenti Donald Trump kërkoi të detyronte largimin e zotit Mueller.

Në versionin e redaktuar të raportit prej më shumë se 400 faqesh të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr thuhet se në qershor të vitit 2017, presidenti Trump i komunikoi Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, të kërkonte shkarkimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller për shkak të konfliktit të interesit.

Në raport thuhet se “McGahn nuk e zbatoi udhëzimin, duke vendosur që të jepte dorëheqjen sesa të shkaktonte atë që ai e konsideronte si një masakër e natës së shtunë”. ‘Masakra e natës së shtunë’ i referohet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të zbatimit të ligjit nga presidenti Richard Nixon në tetor të vitit 1973 gjatë periudhës së Watergate-it.

Pak para se raporti të bëhej publik, kryeprokurori Barr u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ka bashkëpunuar fshehurazi me Moskën dhe tha se më vonë, pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump nuk kishte “asnjë qëllim të korruptuar” për të penguar hetimin.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh i është referuar hetimit Mueller si një “Gjueti Shtrigash”, tha të enjten: “Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë me një president tjetër, ky mashtrim nuk duhet të ndodhë. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhë me një president tjetër.”

Në fund të muajit të kaluar, në një përmbledhje të gjetjeve të zotit Mueller, kryeprokurori Barr tha se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, por nuk kishte marrë asnjë vendim nëse ai kishte penguar drejtësinë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë i kontrolluar nga demokratët publikoi një letër të enjten duke kërkuar që prokurori Mueller të dëshmojë para komisionit “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Reagojnë demokratët

Udhëheqësi demokrat i Senatit amerikan, Chuck Schumer dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi thanë se përfundimet e nxjerra nga prokurori i përgjithshëm Uilliam Barr për raportin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller bien në kundërshtim me gjetjet e vetë raportit.

Ligjvënësit Schumer dhe Pelosi bënë një deklaratë të enjten duke thënë se “Ka një kontrast të thellë midis asaj që tha prokurori i përgjithshëm Barr për çështjen e pengimit të drejtësisë dhe asaj që thotë prokurori i posaçëm Mueller për të njëjtën çështje.”

“Ndërsa ne vazhdojmë ta shqyrtojmë raportin,” thanë ata, “një gjë është e qartë: prokurori i përgjithshëm Barr dha përfundimin se presidenti nuk e pengoi drejtësinë, ndërsa raporti Mueller duket se e kundërshton një verdikt të tillë.”

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerry Nadler njoftoi se po kërkon që zoti Mueller të dëshmojë përpara komisionit sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo më vonë se data 23 maj.

“Është e qartë se Kongresi dhe populli amerikan duhet të dëgjojnë nga prokurori i posaçëm Robert Mueller personalisht për të kuptuar më mirë rezultatet e tij,” tha ai në Twitter.

Kërkesa e ligjvënësit Nadler vjen pas disa javë thirrjesh nga demokratët që raporti Mueller të publikohej i plotë, i paredaktuar.

Konferenca e Shtypit e Kryeprokurorit Barr

Prokurori i Përgjithshëm ofroi hollësi të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, para se ta bënte publik raportin, duke theksuar se nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Moskës.

Zoti Barr, i emëruar si kreu i Departamentit të Drejtësisë nga presidenti Trump, dha një konferencë për shtyp përpara publikimit të raportit të shumëpritur, një ngjarje me rëndësi kjo për presidencën Trump.

“Prokurori i Posaçëm ka hetuar një numër lidhjesh apo kontaktesh mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Pas shqyrtimit të këtyre kontakteve, Prokurori i Posaçëm nuk gjeti asnjë komplot që shkel ligjin amerikan që përfshin personat e lidhur me Rusinë dhe ndonjë personi të lidhur me fushatën presidenciale. Ky është përfundimi kryesor. Pas rreth dy vjet hetimesh, me mijëra thirrjesh për dëshmi, me qindra fletë-arrestesh dhe intervista dëshmitarësh, Prokurori i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti se fushata Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me këto përpjekje. Pasi nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, raporti i Prokurorit të Posaçëm vazhdon të shqyrtojë nëse veprimet e caktuara të presidentit mund të përbëjnë pengim të hetimit. Siç e kam thënë në letrën time të 24 marsit, Prokurori i Posaçëm nuk dha një gjykim prokurorial tradicional lidhur me këtë pikë. Në vend të kësaj, raporti paraqet 10 episode që përfshijnë presidentin dhe diskuton teoritë e mundshme ligjore për lidhjen e këtyre aktiviteteve me elementet e një vepre të pengesës. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe teorive ligjore të parashtruara në raport dhe në konsultim me Zyrën e Këshilltarit Ligjor dhe avokatët e tjerë të departamentit, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë arritëm në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokurori i Posaçëm nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një pengim të drejtësisë. Megjithëse zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë nuk pajtohemi me disa prej teorive ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm dhe se disa nga episodet e shqyrtuara nuk përbën pengesë ligjore, ne nuk u mbështetëm vetëm aty për të marrë vendimin tonë.”

Ai tha se avokatëve personalë të Presidentit Trump “iu dha mundësia të lexonin një version përfundimtar të raportit të redaktuar përpara se ai të bëhej publik”, një deklaratë që me siguri do të zemërojë demokratët e Kongresit.

Publikimi i raportit, me pjesë që pritet të paraqiten të mbuluara me bojë të zezë për të mbrojtur disa informacione të ndjeshme, pritet të shkaktojë një betejë të re politike në Kongres si dhe në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2020-s, ndërkohë që zoti Trump kërkon të rizgjidhet në një atmosferë ndarjesh të thella politike në vend.

Në një sërë postimesh në Twitter përpara publikimit të raportit, Presidenti Trump e kritikoi ashpër hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller, duke e quajtur “Mashtrimi më i madh politik i të gjitha kohërave!”

Prokurori i posaçëm Mueller ia paraqiti raportin zotit Barr më 22 mars. Dy ditë më vonë, zoti Barr u tha ligjvënësve se hetimi nuk vërteton se ekipi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë dhe se raporti e nxjerr të larë Presidentin Trump përsa i përket akuzave për pengim të drejtësisë.

FILE - William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

FILE – William Barr testifies before a Senate Judiciary Committee hearing on his nomination to be attorney general of the United States on Capitol Hill in Washington, Jan. 15, 2019.

Raporti i redaktuar

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti hyn në hollësi për akuzat e ndryshme nëse zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr publikoi para disa javësh një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

FILE - The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

FILE – The letter from Attorney General William Barr to Congress on the conclusions reached by special counsel Robert Mueller in the Russia probe, March 24, 2019.

Shumë njerëz do ta analizojnë raportin për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut.

FILE - Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

FILE – Deputy Attorney General Rod Rosenstein speaks during a news conference at the Department of Justice.

Kryeprokurori Barr shoqërohej në konferencën e tij të shtypit nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili për pjesën më të madhe të hetimit të zotit Mueller ishte personi që mbikqyrte hetimin në Departamentin e Drejtësisë. Askush nga ekipi i zotit Mueller nuk mori pjesë në konferencë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se po shikonte mundësinë për të mbajtur një konferencë shtypi të enjten. Duke folur në për stacionin radiofonik WMAL, zoti Trump tha: “Do të shihni se shumë gjëra shumë të forta do të dalin nesër. Prokurori i Përgjithshëm Barr do të japë një konferencë për shtyp. Ndoshta unë do të bëj të njëjtën gjë pas kësaj; do ta shohim.”

Jepen çmimet “Pulitzer”, shpërblehen autorët e dy hetimeve ndaj presidentit, po edhe reporterët e burgosur dhe të vrarë

Janë shpallur fituesit e çmimeve “Pulitzer”, një nga çmimet më të rëndësishme të gazetarisë në botë.

Bëhet e ditur se çmimet e dhëna në kategoritë për lajme në gazeta, revista dhe në internet, letërsi dhe kompozime muzikore, këtë vit kanë kryesuar në fushën e gazetarisë gazetat lokale që publikuan në lidhje me tre sulmet e armatosura vitin e kaluar në SHBA.

Gazeta “Sun Sentinel” që botohet në shtetin e Floridas, është fituese e çmimit në kategorinë “shërbim publik” me publikimet për investigimin e gabimeve të bëra para dhe pas sulmit nga drejtuesit e shkollës dhe policia në lidhje me sulmin e armatosur në shkollën “Stoneman Douglas” në Parkland.

Ndërsa gazeta “Pittsburgh Post-Gazette” ka fituar çmimin në kategorinë për “lajmin flash” për gazetarinë në lidhje me sulmin e armatosur më 27 tetor ndaj një sigagoge në Pittsburgh të Pensilvanisë në SHBA ku si pasojë humën jetën 11 persona dhe u plagosën 6 të tjerë.

Po ashtu edhe punonjësit e “Capital Gazette” në qytetin Annapolis në Maryland janë fitues të çmimit “Çmim Special” për shkak se kanë vazhduar me guxim të kryejnë detyrën e tyre të gazetarisë pas sulmit të armatosur më 28 qershor ku një agresor hyri me armë në ambientet e gazetës duke masakruar 5 kolegët e tyre.

Ndërkohë janë nderuar me çmimin “Gazetari investigative” gazeta “Los Angeles Times” për lajmet në lidhje me gjinekologun që ngacmonte nxënëset femra në klinikën e universitetit të Karolinës së Jugut, agjencia e lajmeve Associated Press me çmimin “gazetari ndërkombëtare” për lajmet e saj që kanë trajtuar krimet njerëzore të përjetuara në luftën në Jemen, gazeta “New York Times” me çmimin “gazetari shpjeguese” për lajmet e saj për rregullimet e trashëgimisë të presidentit të SHBA Donald Trump për të shmangur taksën e trashëgimisë dhe “Wall Street Journal” në kategorinë “gazetari kombëtare” për lajmet e saj që kanë zbuluar se Trump ka paguar dy femra “për të heshtur” gjatë periudhës zgjedhore.

Çmimet “Pulitzer” jepen që nga viti 1917 si trashëgimi e gazetarit amerikan me prejardhje hungareze Joseph Pulitzer për të nxitur punimet në fushën e gazetarisë dhe medias. Fituesit e çmimit përcaktohen nga juria e formuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin Columbia.

Trumpi do të sfidohet edhe nga republikanët më 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të përballet me sfida brenda Partisë së tij Republikane, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, duke u bërë republikani i parë që do ta sfidojë Trumpin në vitin 2020.

“Unë vërtet mendoj se nëse edhe gjashtë vjet kemi gjëra të njëjta nga Shtëpia e Bardhë, të tilla si në dy vjetët e fundit, do të ishte tragjedi politike”, tha Weld për CNN-in.

Por udhëheqësit e Partisë Republikane e hodhën menjëherë poshtë fushatën e tij.

“Çdo përpjekje për të sfiduar nominimin e presidentit është e prirë të mos çojë askund”, tha përmes një deklarate Komiteti Kombëtar Republikan.

Sipas sondazhit më të fundit të kompanisë amerikane Gallup, 89% e votuesve republikanë e mbështesin presidentin Trump.

Nga Partia Demokratike, disa zyrtarë kanë shpallur tashmë kandidaturën për president.

Fluturimi i parë i avionit më të madh në botë

Kompania amerikane ”Stratolaunch” njoftoi sot kryerjen e fluturimit të parë në formë testi të avionit më të madh në botë mbi shkretëtirën kaliforniane.

Avioni i pazakontë i ndërtuar nga kompania e famshme në fushën e inxhinierisë aeronautike ‘’Scaled Composites’’ në shkretëtirën e Mojave përbëhet nga dy avionë të bashkëngjitur në një trup të vetëm dhe vihet në lëvizje nga gjashtë motorrë Boeing 747.

Ai pritet të shërbejë në teori për të transportuar dhe lëshuar në lartësi një raketë të vogël që do të vërë ndërkohë në punë motorrin e saj dhe do të lëshohet me vrull drejt hapësirës për të vendosur satelitë në orbitë. Kjo është një metodë për të patur akses në hapësirë në mënyrë më të përshtatshme sesa ngjitjet vertikalisht të raketave, pasi avionit do t’i nevojitej vetëm një pistë e madhe për t’u shkëputur nga toka.

‘’Avioni ‘’Stratolaunch’’ u ngrit nga aeroporti i Mojaves, në Kaliforni rreth orës 06:58 sipas asaj lokale dhe qëndroi në ajër për gati dy orë e gjysmë’’, bëri të ditur kompania në një komunikatë të lëshuar sot. Deri tani avioni kishte kryer vetëm teste në tokë.

Shpejtësia maksimale gjatë fluturimit ishte 304 kilometra në orë, dhe avioni u ngjit deri në 5.182 metra lartësi.

SpaceX nis me sukses raketën ‘Falcon Heavy’

Kompania hapësinore “SpaceX” nisi për të dytën herë me sukses, raketën më të fuqishme në botë.

Raketa “Falcon Heavy” u nis me misionin e saj të parë komercial të enjten në mbrëmje nga qendra hapësinore e NASA-s Kennedy në Florida.

Ajo ishte e ngarkuar me një satelit komercial të Arabisë Saudite.

Për të kursyer para, SpaceX i përdor përsëri raketat duke i kthyer në tokë, siç duket edhe në këto pamje, ku tre pjesë të Falcon Heavy ulen butë në një platformë të posaçme.

“SpaceX” është kompania e sipërmarrësit Elon Musk. Ai është gjithashtu shefi ekzekutiv i kompanisë që prodhon makinat elektrike Tesla.

“Falcon Heavy” u prodhua fillimisht për të dërguar njerëz në Hënë dhe Mars, por tashmë zoti Musk e ka transformuar raketën në një bartës të pajisjeve e furnizimeve për vendndodhje të largëta në hapësirë.

“Falcon Heavy” me 27 motorë është raketa më e fuqishme në përdorim që nga koha kur NASA përdorte raketat “Saturn 5” për të dërguar astronautë në Hënë, 45 vite më parë.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë padit Julian Assangen

Shtetet e Bashkuara akuzuan të enjten themeluesin e WikiLeaks Julian Assange për konspiracion në hakerimin e një kompjuteri lidhur me publikimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara amerikane, vetëm pak orë pasi policia britanike e arrestoi atë në ambasadën ekuadoriane në Londër, ku ai qëndronte për gati shtatë vjet.

Aktakuza ndaj Julian Assange rrjedh nga një prej shkeljeve më të mëdha të informacionit të klasifikuar në historinë amerikane, publikimit nga WikiLeaks në vitin 2010 të një numri të madh të dhënash ushtarake amerikane në luftërat e saj në Afganistan dhe Irak, vlerësimet e terroristëve të dyshuar të mbajtur nga Shtetet e Bashkuara në Guantanamo të Kubës dhe 250 000 komunikimeve kabllore të Departamentit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Assange-n për komplot me ish-analisten e zbulimit të Ushtrisë Amerikane Chelsea Manning, të njohur më parë si Bradley Manning përpara se ta deklaronte veten si grua, për të deshifruar një fjalëkalim në kompjuterat e Departamentit amerikan të Mbrojtjes duke hakeruar në një rrjet qeveritar të dokumenteve dhe komunikimeve të klasifikuara të njohura si Rrjeti i Protokollit Sekret në Internet. Qeveria amerikane thotë se deshifrimi i fjalëkalimit, e lejoi zonjën Manning të hynte në kompjuterat me një emër përdoruesi që nuk i përkiste asaj, duke e bërë fillimisht më të vështirë për autoritetet të përcaktonin burimin e zbulimeve të paligjshme.

Qeveria tha se zoti Assange dhe zonja Manning u angazhuan në diskutime në kohë reale, ndërsa ajo transmetoi të dhënat e klasifikuar tek Julian Assange që WikiLeaks pastaj i publikoi. Sipas aktakuzës, gjatë një diskutimi, Manning i tha Assange-it: “Pas kësaj ngarkimi, kjo është e gjitha që kam”, ndaj të cilës Assange u përgjigj: “në përvojën time, sytë kurreshtarë kurrë nuk pushojnë”.

Pas këtij shkëmbimi, pohon padia, Manning hyri në komunikimet kabllore të Departamentit të Shtetit që WikiLeaks më vonë i publikoi.

Assange, 47 vjeç, është akuzuar për komplot për të kryer ndërhyrje kompjuterike dhe, nëse dënohet, përballet me një burgim pesëvjeçar.

35-vjeçarja Manning kreu shtatë vjet burgim për rolin e saj në zbulimin e dosjeve sekrete. Dënimi i saj u shkurtua nga ish-presidenti Barack Obama disa ditë para se të përfundonte mandatin e tij në janar të vitit 2017. Megjithatë, një gjykatës federal urdhëroi burgosjen e saj përsëri muajin e kaluar pasi refuzoi të dëshmojë para një jurie të madhe që po heton organizatën WikiLeaks.

Të enjten në Londër, policia britanike arrestoi themeluesin e WikiLeaks, Julian Assange.

Policia britanike e nxorri Julian Assange-in nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku ai ishte strehuar që nga viti 2012.

Ai qëndroi atje për të mos u ekstraduar në Suedi për t’u përballur me akuzat për sulme seksuale.

Suedia më vonë e anuloi hetimin, por Assange mbeti në ambasadë për shkak të frikës se Britania mund ta ekstradonte atë në Shtetet e Bashkuara në lidhje me publikimin e dokumenteve të klasifikuara të qeverisë amerikane nga WikiLeaks.

Presidenti i Ekuadorit Lenin Moreno lëshoi një deklaratë të enjten ku shpjegon vendimin e vendit të tij, duke thënë se Assange kishte “arritur kufirin” me sjelljen e tij.

“Po njoftoj sot se sjellja e pahijshme dhe agresive e zotit Julian Assange, deklaratat armiqësore dhe kërcënuese të organizatës së tij kundër Ekuadorit dhe veçanërisht, shkeljet e traktateve ndërkombëtare, e kanë çuar situatën në një pikë ku azili për të nuk mund të zgjatet dhe nuk është më praktikë. Ekuadori ka vendosur të ndërpresë azilin diplomatik që i është dhënë zotit Assange që nga viti 2012”.

Presidenti Moreno renditi një varg shkeljesh që pretendon se janë bërë nga Julian Assange gjatë kohës së tij në ambasadë, duke përfshirë instalimin e pajisjeve elektronike të cilat nuk ishin të lejuara, bllokimin e kamerave të sigurisë, keqtrajtimin e rojeve dhe qasjen pa leje në dosjet e sigurisë së ambasadës.

Udhëheqësi ekuadorian tha më së fundmi, WikiLeaks publikoi dokumente të Vatikanit dhe se para dhe pas publikimit, anëtarët kryesorë të organizatës e vizituan Assange, duke treguar marrëdhënien e tij të vazhdueshme me një grup “që ndërhynë në punët e brendshme të shteteve të tjera”.

Një deklaratë e policisë metropolitane thotë se oficerët e arrestuan Assange në ambasadë në lidhje me një urdhër britanik të qershorit 2012 për “dështim për t’u dorëzuar në gjykatë”. Policia tha se ishte ftuar në ambasadë nga ambasadori i Ekuadorit pasi qeveria ekuadoriane i hoqi Julian Assange-it të drejtën e azilit.

Trump për hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016: Ishte një tentativë për grusht shteti, ishte tradhti ndaj atdheut

Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ata që nisën hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016, tentuan një “grusht shteti” dhe se kishin kryer “tradhëti ndaj vendit” me qëllimin për të penguar fitoren e tij.

“Gjithçka ishte e paligjshme”, tha zoti Trump duke pohuar se “ky vend është i uritur” që Prokurori i Përgjithshëm William Barr të kryejë hetimin që ai vetë ka shpallur mbi origjinën e hetimit të nisur tre vjet më parë nga Departamenti i Drejtësisë.

Udhëheqësi amerikan sulmoi ish-zyrtarët e departamentit të Drejtësisë dhe Byronë Federale të Hetimeve, duke i quajtur “policë të këqij”, lidhur me rolin e tyre në fillimin e asaj që do të çonte në një hetim 22 mujor nga ana e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës Trump me Rusinë. Hetimi përfshinte gjithashtu edhe dyshimet nëse zoti Trump në detyrën e presidentit, kishte penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishë hetimin.

“Ajo që ata kanë bërë ishte e turpshme”, tha zoti Trump. “Ishte një hetim i paligjshëm, një tentativë për grusht shteti, një përpjekje për rrëzimin e një presidenti. Ajo që ata bënë ishte tradhti ndaj atdheut”, shtoi ai.

Deklaratat e zotit Trump vijnë pasi Prokurori i Përgjithshëm Barr tha se në ditët e ardhshme do të publikojë një variant të redaktuar të raportit prej rreth 400 faqesh të Prokurorit të Posaçëm Mueller.

Në fund të muajit të kaluar, zoti Barr publikoi një përmbledhje të raportit dhe shkruante se presidenti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë dhe se raporti nuk dilte në ndonjë përfundim, nëse zoti Trump kishte penguar drejtësinë. Në një kohë kur Prokurori i Posaçëm nuk kishte arritur një përfundim mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, zoti Barr tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin vendosur se ndaj Presidentit nuk përligjej asnjë akuzë për pengim të drejtësisë.

Zoti Trump tha se ai nuk e ka lexuar raportin e zotit Mueller, ndërsa ka deklaruar se “se ka fituar, se nuk ka patur bashkëpunim të fshehtë apo pengim të drejtësisë”. “Raporti më ka shfajësuar totalisht”, ka thënë Presidenti.

Të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm Barr u tha ligjvënësve në një komision të Senatit se ai beson se “përgjimi” i fushatë së zotit Trump në vitin 2016 “ka ndodhur” dhe se mbikqyrja është autorizuar nga gjyqtarë të gjykatës amerikane për Vëzhgimin e Zbulimit të Huaj.

“Mendoj se përgjimi i një fushate politike është një çështje e madhe” tha zoti Barr, i cili u caktua në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm nga zoti Trump. Zoti Barr tha gjithashtu se dëshiron të zbulojë nëse hetimi i fushatës së zotit Trump, në fazat e hershme të tij, ishte kryer “në mënyrën e duhur”.

“Dua të sigurohem se nuk ka patur abuzim me pushtetin e qeverisë”, tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi të mërkurën për ditën e dytë me radhë. Demokratët i drejtuan atij pyetje të forta lidhur me publikimin e raportit të zotit Mueller dhe se çfarë pjesësh të raportit do të redaktonte, duke mos ia ofruar publikut dhe ligjvënësve. Sikurse të martën, zoti Barr tha se do të redaktojë duke mbuluar me të zezë, ato pjesë të raportit që përmbajnë dëshmi konfidenciale dhënë jurisë së madhe si dhe informacione nga burimet e zbulimit të huaj.

Të martën, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve e kritikuan zotin Barr, duke lënë të kuptohej se në përmbledhjen që ai i kishte bërë raportit të zotit Mueller kishte vepruar për të mbrojtur zotin Trump nga pesha e plotë e përfundimeve të hetimit.

Shtypi ka raportuar se disa anëtarë të ekipit të zotit Mueller kanë pohuar se përmbledhja e zotit Barr nuk përmban informacionin i cili dëmton presidentin Trump.

Intervista – Hooper: Marrëdhëniet Kosovë-SHBA në nivelin më të ulët në 20 vjet

Një analist me përvojë i Ballkanit thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë në nivelin më të ulët në 20 vjetët e kundit për shkak të çështjes së tarifave. James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se negociatat me Serbinë duhen parë në këndvështrimin e ndërtimit të një marrëdhënieje dhe jo të një transaksioni. Në bisedën me kolegen Keida Kostreci, zoti Hooper tha se 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, ai e konsideron Kosovën histori suksesi, por tërheq vëmendjen se ka ende një rrugë të gjatë për të përshkuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Hooper, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha dje në Shqipëri se Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin çdo zgjidhje për të cilën do të binin dakord Kosova dhe Serbia. Megjithëse ai nuk i mëshoi idesë së shkëmbimit të territorit ose ndryshimit të kufijve, ai tha se mund të jetë një element i bisedimeve. Ku mendoni se jemi për momentin lidhur me çështjen e bisedimeve dhe të kufijve?

James Hooper: Mendoj se Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer po përpiqej të inkurajonte lëvizjen përpara të negociatave. Ato kanë ngecur muajt e fundit për shkak të situatës me tarifat, por mendoj se Shtetet e Bashkuara, qeveria amerikane e kupton se ky është një shans historik për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje. Dhe kjo nuk kuptohet mirë nga politika e Kosovës në përgjithësi, ndoshta as nga populli i Kosovës. Këto janë negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që Kosova dhe Serbia të krijojnë një marrëdhënie që nuk ka ekzistuar kurrë më parë. Është shumë e rëndësishme që kosovarët ta kuptojnë se në vitin 2016, një realitet i ri u krijua në Shtetet e Bashkuara, me zgjedhjen e Presidentit Trump. Ky president nuk është aq i përkushtuar për mbrojtjen e Kosovës, për t’u bërë mburoja e Kosovës siç ishte Partia Demokrate, apo republikanë të tjerë, prandaj është një situatë më e rrezikshme për Kosovën, sepse është e rrezikshme të kesh një fqinj armiqësor në kufirin verior në një kohë kur nuk mund ta marrë si të mirëqenë të njëjtën mburojë, një ombrellë sigurie nga ana e Amerikës. Prandaj kjo është një mundësi e shkëlqyer, madje jashtëzakonisht e nevojshme për të negociuar një fund të armiqësisë, ose të paktën një reduktim të ndjeshëm të armiqësisë, sepse e tillë është situata.

Por mendoj se populli i Kosovës dhe shumë faktorë të politikës e keqkuptojnë se për çfarë natyre negociatash po flasim. Ata i shohin këto bisedime me Serbinë si një transaksion, pra: sa më shumë të marrë Kosova aq më mirë për të dhe sa më pak të marrë Serbia, aq më mirë për Kosovën. Dhe me këtë këndvështrim e shohin çështjen e kufirit. Por vendosja e një marrëdhënieje është e ndryshme. Për shembull në një negociatë si transaksion, territori është qëllim në vetvete, ndërsa në një marrëdhënie territori është një mjet për të arritur qëllimin. Territori në vetvete nuk është siguri, mund të japë instrumentat për siguri dhe në këtë rast është mjet për legjitimitet, njohje përmes anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Pra Kosova duhet të mendojë pa dyshim për të siguruar përfitimet e veta nga marrëveshja, por edhe që Serbia të përfitojë mjaftueshëm për ta ratifikuar dhe për ta zbatuar.

Nuk besoj se Kryeministri po i kupton negociatat kështu siç po e shpjegoj unë, si mënyrë për të ndërtuar një marrëdhënie me Serbinë në vend që të marrësh çdo gjë që të mundesh për vete. Kosova përfiton nëse Serbia mendon se ka përfituar sa ç’duhet për të ratifikuar një marrëveshje dhe për ta zbatuar atë dhe unë besoj se mund ta arrijnë një marrëveshje.

Zëri i Amerikës: Por ju e thoni sikur është përgjegjësia e Kosovës që të kontribuojë në një mënyrë të tillë për të krijuar një marrëveshje që do të frenonte armiqësitë e Serbisë. Por nga ajo që kemi parë veprimet e Serbisë nuk kanë qenë reagim ndaj asaj që ka bërë Kosova, por kanë qenë pjesë e politikës së vet ndaj Kosovës…

James Hooper Ajo që po thotë kryeministri dhe shumë kosovarë, është se ne “nuk do t’i heqim tarifat deri kur pala tjetër të na njohë”. Kështu ata vënë një parakusht për bisedimet. Por mendoj se njohja – nuk them në kuptimin e vendosjes së ambasadave – por njohja do të ishte më shumë një rezultat që do të ishte të pranohej Kosova si një vend i pavarur, pra një rezultat i negociatave jo një parakusht. Ajo që duhet të bëjnë negociatorët e Kosovës, është që të kuptojnë se çfarë i duhet palës tjetër, ashtu si negociatorët e Serbisë duhet të kuptojnë se çfarë i duhet palës së Kosovës. Të dyja palët duhet të kuptojnë minimumin që i duhet palës tjetër, në mënyrë që të pranohet një marrëveshje, të ratifikohet dhe pastaj të zbatohet. Këto lloj negociatash – pra për një marrëdhënie – nuk janë të lehta, duan një nivel pjekurie dhe sofistikimi, që mendoj se pala kosovare e ka demonstruar deri tani, sepse ka të bëjë me faktin se si të veprosh me Shtetet e Bashkuara

Zëri i Amerikës: Ju e thatë tashmë se çfarë mendoni për tarifat dhe qëndrimin e kryeministrit. Sa mendoni se e kanë dëmtuar ato marrëdhënien historikisht të mirë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?

James Hooper: Jam befasuar se sa shumë e kanë dëmtuar marrëdhënien. Mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë tani në nivelin më të ulët që nga ndërhyrja e NATO-s para 20 vjetësh dhe nuk shoh ndonjë shenjë se kjo gjendje po ndryshon. Ajo që më befasoi është se kosovarët duken të hapur ta tolerojnë, ta pranojnë një gjë të tillë, në një kohë kur u duhet të punojnë edhe më shumë që angazhimi amerikan i sigurisë ndaj Kosovës, të vazhdojë të mbetet po aq i fortë. Është pothuajse sikur po e flakin tutje. Është sikur pa nevojë po i ngulin gishtin në sy Amerikës, sepse amerikanët e kanë bërë të qartë se kjo ka rëndësi për ta, është e rëndësishme që negociatat të ecin përpara dhe që marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara dhe mendoj se Shtetet e Bashkuara duan që ajo të ecë përpara në një mënyrë të drejtë për të dyja palët. Mendoj se nëse kjo nuk ndryshon dhe nëse negociatat nuk rifillojnë, marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara do të keqësohet edhe më shumë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se kjo gjendje ka dëmtuar marrëdhënien me këtë administratë amerikane apo me Amerikën në përgjithësi?

James Hooper: Ka dëmtuar strukturën e marrëdhënies. Ajo që dëgjoj në Uashington, në Departamentit e Shtetit dhe gjetiu në qeveri dhe në Shtëpinë e Bardhë, ata tani i shohin kosovarët si më nacionalistë, që shkaktojnë probleme, që bëhen të vështirë për amerikanët të merren me ta. Dhe e përsëris, nuk po them që kur amerikanët i thonë Kosovës të bëjë diçka, ata ta bëjnë duke injoruar interesat e tyre, por kur amerikanët i bëjnë të ditur Kosovës se është një çështje shumë e rëndësishme për ta, ne presim një farë bashkëpunimi dhe një reagim konstruktiv dhe që të gjejnë një mënyrë të përgjigjen dhe kjo nuk ka ndodhur.

Zëri i Amerikës: Pse është tani momenti për një marrëveshje? Po e dëgjojmë shpesh një gjë të tillë, përfshirë nga Presidenti Trump. Pse pikërisht tani?

James Hooper: Sepse në momentin që mbyllet dritarja në Beograd, nuk do të ketë më negociata për marrëveshjen. Në Beograd janë në pushtet progresistë dhe zoti Vuçiç e kupton Kosovën dhe deri ku mund të shkojë dhe çfarë duhet bërë dhe ai do që të Serbia të jetë pjesë e BE-së dhe e di që kjo është rruga për ta arritur këtë synim. Kjo është arsyeja. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, nëse Kosova luan për të fituar kohë … E kam parë edhe në vende të tjera. Palestinezët vazhdimisht hidhnin poshtë shanse për të negociuar marrëveshje me Izraelin dhe sa here tërhiqeshin, ktheheshin mbrapsht për të njëjtën gjë dhe e kishin humbur mundësinë.

Ka momente që janë vendimtare, ka momente kur një dritare mundësie është e hapur dhe duhet të veprosh dhe ky është një moment i tillë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ideja e këmbimit të territorit apo ndryshimit të kufirit, megjithëse duket sikur ka pasur relativisht një heshtje rreth saj së fundmi, është ende mbi tryezë dhe cilat janë shanset e saj?

James Hooper: Po, do të ketë një aspekt territori në marrëveshje, dhe duhet të ketë në mënyrë që kjo të funksionojë për të dyja palët. Nuk besoj se Maqedonia do të shpërbëhet për shkak të elementit të territorit në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Madje besoj se do ta konsolidojë stabilitetin në Maqedoni. As nuk besoj që zoti Dodik në Bosnje do ta përdorë një marrëveshje të tillë si justifikim, për ta nxjerrë Republikën Serbe nga Bosnja dhe për ta bërë të pavarur. Prandaj unë e konsideroj një marrëveshje me territorin si element, si një faktor thelbësor, stabilizues të një marrëdhënieje të re mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Ka ekzistuar gjithmonë një mjegull lidhur me faktin se pse zoti Haradinaj nuk vinte dot në Shtetet e Bashkuara. Fakti që ai vizitoi Shtetet e Bashkuara ditët e fundit është simbolikisht i rëndësishëm. Por gjithsesi ai shkoi në Detroit, nuk erdhi këtu në Uashington. Si e konsideroni ju këtë vizitë?

James Hooper: Nuk i di të gjitha detajet, por shpresoj që kryeministri t’ia ketë kaluar mirë në Detroit. Por ai erdhi në Shtetet e Bashkuara, amerikanët e lejuan dhe nuk pati probleme me vizën, çka mendoj se do të thotë që Shtetet e Bashkuara duan të thonë se duan një vazhdimësi në marrëdhëniet me Kosovën. Por më ra në sy që nuk erdhi në Uashington dhe nuk e di pse por më duket se nuk do të kishte kuptim nga pala amerikane që ta mirëpriste (në këto kushte). Nëse vinte në Uashington, ai do të duhej të kishte takime. Nëse vinte në Uashington dhe nuk kishte takime, do të ishte një pozicion i papërshtatshëm për kryeministrin Haradinaj dhe do të ishte një hap prapa dhe do të dukej edhe më keq nga ç’është në të vërtetë marrëdhënia. Pse duhet ta donin amerikanët atë në Uashington dhe kur ai po refuzon të jetë pjesë e procesit të negociatave, për të cilin amerikanët kanë thënë se është i rëndësishëm për ta? Kjo nuk është çështje e vogël, është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe ne prisnim nga Kosova që të paktën të ishte konstruktive dhe kjo nuk ka ndodhur. Prandaj hamendja ime është që ndoshta ai nuk ishte në gjendje të siguronte takime në Uashington me zyrtarët dhe nuk donte të vihej në pozitë të vështirë, kështuqë vendosi të shkojë në një qytet tjetër, ku të paktën do të ruante marrëdhënien me amerikanët, dhe të mos merrej me problemet me ta. Kjo do të ishte analiza ime.

Zëri i Amerikës: 20 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s a do ta quanit Kosovën një histori suksesi apo më të ndërlikuar se aq?

James Hooper: Pa dyshim e konsideroj një histori suksesi, por është një rrugë e gjatë. Lufta i dha fund spastrimit etnik nga serbët në Kosovë dhe sundimit serb në Kosovë. Kështu Kosova hyri në një periudhë autonomie, nën ligjin ndërkombëtar, më pas shpalli pavarësinë. Tani mendoj është koha që Kosova të ndërtojë një marrëdhënie me Serbinë që do t’i japë një pozicion të fortë në rajon, siguri të përhershme si vend i pavarur, prandaj anëtarësimi në OKB është aq i rëndësishëm.

Trumpi shkarkon drejtorin e Shërbimit Sekret

Randolph Alles

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shkarkoi drejtorin e Shërbimit Sekret – agjencisë që ofron mbrojtje për të dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi shkarkimin e Randolph Alles, një ditë pasi Trumpi njoftoi se sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, po linte postin.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se James Murray, agjent i Shërbimit Sekret, do të marrë postin e drejtorit në këtë agjenci nga muaji maj.

Alles e ka udhëhequr Shërbimin Sekret për dy vjet dhe ka shërbyer në Trupat Detare të SHBA-së për 35 vjet, përpara se të tërhiqej nga ushtria në vitin 2011.

Shërbimi Sekret është përgjegjës për mbrojtjen e presidentit dhe të nënpresidentit të SHBA-së, të ish-presidentëve dhe të krerëve të shteteve që vizitojnë SHBA-në.

SHBA shpall Rojet Revolucionere të Iranit organizatë terroriste

Shtetet e Bashkuara i shpallën Rojet Revolucionare të Iranit (IRGC) si organizatë të huaj terroriste.

Presidenti Donald Trump tha në një deklaratë se “Ky hap i pashembullt, i drejtuar nga Departamenti i Shtetit, njeh realitetin se Irani nuk është vetëm një mbështetës shtetëror i terrorizmit, por edhe që Rojet Revolucionare marrin pjesë aktive në terrorizëm, e financojnë dhe e nxisin atë si mjet të politikës shtetërore.”

Rojet Revolucionare janë organizata më e fuqishme e sigurisë së Iranit.

Presidenti tha se Rojet Revolucionare “janë mjeti kryesor i qeverisë iraniane për të drejtuar dhe zbatuar fushatën e saj terroriste globale”.

“Kjo do të jetë hera e parë që Shtetet e Bashkuara shpallin si organizatë terroriste të huaj një pjesë të një qeverie tjetër dhe nënvizon faktin se veprimet e Iranit janë krejtësisht të ndryshme nga ato të qeverive të tjera”, tha Presidenti Trump në deklaratë.

Jep dorëheqje sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare

Sekretarja e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen, dha dorëheqje pas 16 muajsh në këtë post dhe trysnisë së madhe nga Shtëpia e Bardhë dhe publiku mbi situatën përgjatë kufirit jugor të vendit.

“Me gjithë përparimin në reformimin e sigurisë kombëtare për epokën e re, kam vendosur që është koha e duhur për t’u larguar” shkroi zonja Nielsen në letrën e dorëheqjes dërguar presidentit Donald Trump.

Ndonëse nuk tha saktësisht se pse po ikte, zonja Nielsen, shkroi se shpreson që sekretari i ardhshëm “do të ketë mbështetjen e Kongresit dhe gjykatave në rregullimin e ligjeve që kanë penguar aftësinë tonë për të siguruar plotësisht kufijtë e Amerikës dhe që kanë kontribuar në mosmarrëveshjet në vendin tonë. Burrat dhe gratë e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, meritojnë të kenë të gjitha mjetet dhe burimet e nevojshme për të zbatuar misionin që u është besuar”.

Zonja Nielsen më vonë shkroi në twitter se dita e saj e fundit në post do të jetë e mërkura.

I have agreed to stay on as Secretary through Wednesday, April 10th to assist with an orderly transition and ensure that key DHS missions are not impacted.

— Sec. Kirstjen Nielsen (@SecNielsen) April 8, 2019

Presidenti Trump ka shprehur zhgënjimin me situatën përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku janë drejtuar qindra e mijëra emigrantë në përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe krimit në Amerikën Qendrore, me shpresë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Ai ritheksoi qëndrimin e tij në një seri komentesh në twitter të dielën vonë duke i nënvizuar ato me pohimin se “Vendi ynë nuk mban më!”.

Burimet në Shtëpinë e Bardhë thonë se presidenti Trump qortonte shpesh zonjën Nielsen se nuk po tregohet mjaft e rreptë në frenimin e numrit të emigrantëve që po përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i quajti politikat e emigracionit të administratës së president Trump “mizore” që sipas saj, “vetëm sa kanë përkeqësuar vuajtjet njerëzore në kufi”.

“Është thellësisht alarmuese që zyrtarja e administratës Trump që ka futur fëmijët nëpër kafaze, thuhet se po jep dorëheqje meqë nuk është mjaft e ashpër për t’i pëlqyer Shtëpisë së Bardhë “, tha ajo, “Amerika ka nevojë për një sekretar të Sigurisë Kombëtare që do të respektojë shenjtërinë e familjes, do të nderojë trashëgiminë tonë krenare si komb i emigrantëve dhe do të rivendosë mendjen e shëndoshë në politikat e kësaj administrate”.

As Homeland Security Secretary, Kirstjen Nielsen oversaw the implementation of the Trump Admin’s increasingly toxic anti-immigrant policies. That she is reportedly resigning because she is not extreme enough for the White House’s liking is deeply alarming. https://t.co/MVKarszG06

— Nancy Pelosi (@SpeakerPelosi) April 8, 2019

Zonja Nielsen u përball me protesta publike për shkak të politikës shumë të papëlqyeshme të administratës për ndarjen e familjeve emigrante pas hyrjes në SHBA.

Mijëra fëmijë u ndanë nga prindërit e tyre dhe u mbajtën në mjedise të ndara. Zonja Nielsen ishte përgjegjëse për zbatimin e asaj politike ndonëse atëbotë e mohonte një gjë të tillë.

Në letrën e saj zonja Nielsen shkroi se “atdheu ynë sot është më si sigurt sesa kur ju bashkova kësaj administrate. Kemi ndërmarrë veprime të pashembullta për të mbrojtur amerikanët”.

Presidenti Trump falënderoi në twitter zonjën Nielsen për shërbimin e saj dhe njoftoi që komisionari i doganave dhe mbrojtjes së kufijve, Kevin McAleenan, do të jetë ushtrues detyre i sekretarit të Sigurisë Kombëtare.

“Kam besim që Kevini do të bëjë një punë shumë të mirët”, tha presidenti Trump.

Në New York mbahet gara e “luftës me jastëkë”

New York

Mijëra njerëz kanë shënuar ditën e luftës me jastëkë pasi janë mbledhur në sheshin “Washington” një nga rajonet më të njohura të New Yorkut në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Dita ndërkombëtare e luftës me jastëkë” e cila zhvillohet çdo vit në muajin prill, edhe këtë vit është bërë skenë e pamjeve shumëngjyrëshe në New York.

Trump thotë se nuk e ka lexuar ende raportin e Muellerit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të shtunën se nuk e ka lexuar raportin e Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, që përbën hetimet e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA dhe kontakteve të mundshme me Rusinë.

“Nuk e kam lexuar raportin e Muellerit ende edhe pse kam të drejtë të plotë të bëjë këtë”, tha Trump në Twitter.

“Unë i di vetëm konkluzionet, por, nuk ka asnjë bashkëpunim të fshehtë”, shtoi ai.

Prokurorit i Përgjithshëm, William Barr, tha se planifikon ta bëjë publik raporton rreth 400 faqe, gjatë këtij muaji nëse jo më herët.

Demokratët rrisin presionin për publikimin e raportit të Muellerit

Më 22 mars, Mueller kishte përfunduar raportin 22 mujor të cilin e dorëzoi tek prokurori Barr.

Barr, dy ditë më vonë e kishte dërguar një letër tek Kongresi, duke spjeguar të gjeturat kryesore nga raporti. Ai i kishte thënë ligjvënësve se hetimi nuk ka ardhur në përfundim se anëtarët e fushatës së Trumpit kanë bashkëpunuar me Rusinë.

Prokurorit i Përgjithshëm shtoi se ka ardhur në përfundim që nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Trump ka tentuar ta pengojë procesin. Mediat kanë raportuar këtë javë se anëtarët e ekipit të Muellerit nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Prokurori Barr i ka përmbledhur hetimet.

Trump më herët kishte thënë se këto hetime janë “humbje kohe”.

Anketa, më pak amerikanë mbështesin NATO-n

Një sondazh i ri tregon se më pak se gjysma e amerikanëve mbështesin Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior, aleancë e krijuar fillimisht për të ofruar siguri kolektive kundër Bashkimit Sovjetik, por tani e përqendruar tek grupe jo-shtetërorë si Talibani dhe Shteti Islamik.

Sondazhi i kryer nga YouGov, i publikuar në 70 vjetorin e NATO-s, zbulon se vetëm 44 përqind e amerikanëve mbështesin pjesmarrjen e Shteteve të Bashkuara në këtë traktat. Kjo shifër është tre përqind më pak nga sondazhi i vitit 2017.

Sondazhi gjen gjithashtu se në vendet e tjera të NATO-s mbështetja për aleancën ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit mes aleatëve kryesorë evropianë. Mbështetja për NATO ra në Britani nga 73 përqind në 59 përqind, në Gjermani nga 68 në 54 përqind dhe në Francë nga 54 në 39 përqind.

YouGov thotë se në Shtetet e Bashkuara ka një ndarje në vija të qarta përsa i përket mbështetjes për NATO-n: 56 përqind e brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, i cili u rrit në fillimet e Luftës së Ftohtë, besojnë se NATO-ja vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e vendeve perëndimore.

Vetëm 35 përqind e Brezit të Mijëvjeçarit, dhe 33 përqind e Brezit X mbështesin pjesëmarrjen e SHBA në aleancë.

Presidenti Trump në kufi: “sistemi i emigracionit nuk mban më”

Presidenti Donald Trump në vijën kufitare me Meksikën, në Calexico, të Kalifornisë

Presidenti amerikan Donald Trump tha se Meksika po ndihmon për uljen e fluksit drejt Shteteve të Bashkuara të emigrantëve nga vendet e Amerikës Qëndrore. Gjatë vizitës së tij dje në vijën kufitare në Kaliforni, ai nuk u tërhoq megjithatë nga kërcënimi për të mbyllur kufirin ose për të vendosur tarifa ndaj makinave të importuara nga Meksika. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, njofton se Presidenti Trump dha një mesazh edhe për emigrantët, duke deklaruar se sistemi i emigracionit nuk ka më hapësira.

Përpara se të largohej nga Uashingtoni, Presidenti Trump mohoi të ketë ndërruar mendje për mundësinë e mbylljes së kufirit, një lëvizje që do të ndalte miliarda dollarë shkëmbimesh tregtare.

Pranë qytetin Calexico, ai tha se Meksika i ka shtuar përpjekjet për zbatimin e ligjeve të emigracionit.

“Gjatë katër ditëve të fundit kanë punuar shumë mirë. Po jua përsëris se do ta mbyllim (kufirin) nëse do të jetë e nevojshme, si dhe do të vendosim tarifa ndaj automjeteve që prodhojnë në Meksikë. Megjithatë, Meksika po bën një punë shumë të mirë dhe dua të falenderoj presidentin meksikan”, deklaroi Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha se sistemi amerikan i emigracionit është i mbingarkuar me azilkërkues dhe se ata nuk janë të gjithë të ligjshëm.

“Disa prej këtyre azilkërkuesve janë pjesëtarë bandash. Nuk kanë frikë nga asgjë. I mirëpresin avokatët. Lexojnë çfarë u përcaktojnë avokatët. Ata janë pjesëtarë bandash që deklarojnë se u kërcënohet jeta. Është mashtrim. Ata vetë përbëjnë kërcënim për jetët e të tjerëve”, tha Presidenti Trump.

Njerëzit që kritikojnë mënyrën se si trajtohen emigrantët në kufi dolën të protestojnë ndaj vizitës së Presidentit. Aty ishin edhe disa mbështetës të Presidentit.

Segmenti prej tre kilometrash i gardhit të ri kufitar në Calexico ishte planifikuar që në vitin 2009 dhe u përfundua vitin e kaluar.

Presidenti Trump dhe demokratët në Kongres janë angazhuar në një debat për miliarda dollarët që do të kushtonte një mur që do të përshkonte të gjithë vijën kufitare të Shteteve të Bashkuara. Demokratët e kundërshtojnë një projekt të tillë.

Boeing pranon gabimin, kërkon falje për “jetët e humbura”

New York

Prodhuesi amerikan i avionëve Boeing ka pranuar se një gabim në Sistemin e Forcimit të Karakteristikave të Manovrimit (MACS) ka luajtur rol në aksidentet e pësuara nga modeli 737 MAX 8 dhe kërkoi falje për humbjen e jetëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kërkojmë falje për jetët e humbura në aksidentet me 737 MAX”, tha drejtuesi ekzekutiv (CEO) Dennis Muilenburg në Twitter, lidhur me aksidentet e modelit 737 MAX të Ethiopian Airlines të Etiopisë dhe Lion Air të Indonezisë.

Muilenburg tha se detajet e plota të të dyja aksidenteve do të shpalosen në raportet e qeverive përkatëse.

“Megjithatë, sipas raporteve të para shqyrtuese të aksidentit të Ethiopian Airlines, është e qartë se sistemi i njohur si MCAS, në të dy aksidentet ka qenë aktiv pasi ka marrë informacione të gabuara të shpejtësisë”, tha Muilenburg.

Më 10 mars, një avion Boeing 737 Max 8 që po udhëtonte për në Kenia u rrëzua vetëm gjashtë minuta pasi u nis nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Abeba.

Të gjithë 157 personat në bord nga 35 vende të ndryshme, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit, humbën jetën gjatë aksidentit.

Rrëzimi i avionit në Etiopi ishte aksidenti i dytë vdekjeprurës i modelit Boeing 737 MAX në më pak se pesë muaj.

Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i linjës indoneziane Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.

Pas aksidentit fatal në Etiopi, shumë shtete dhe linja ajrore ndaluan fluturimet e modeleve 737-MAX 8 dhe Boeing 737-MAX 9.

Hetuesit thonë se raporti i zotit Mueller përmban gjetje të dëmshme për presidentin

Disa nga pjesëmarrësit në hetimin gati dyvjeçar të fushatës presidenciale të vitit 2016 të presidentit amerikan, Donald Trump, thonë se gjetjet në një raport të paraqitur nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller, janë më të dëmshme për presidentin, sesa që është sugjeruar nga prokurori i përgjithshëm, William Barr, raportuan të mërkurën vonë New York Times dhe Washington Post.

Prokurori Barr publikoi më 24 mars një përmbledhjen prej katër faqesh të raportit të zotit Mueller, mbi hetimet e pretendimeve se fushata e presidentit Trump bashkëpunoi me Rusinë për të ndikuar në favor të presidentit Trump. Zoti Barr tha se ekipi i zotit Mueller, nuk gjeti prova se presidenti Trump ose ndonjë person i lidhur me fushatën e tij komplotonte ose bashkërendohej me Rusinë.

Sipas zotit Barr, prokurori i Posaçëm Mueller nuk nxjerr përfundime nëse presidenti Trump ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në hetime dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë për pengim të drejtësisë.

Por New York Times dhe Washington Post, thonë se hetuesit e zotit Mueller u kanë thënë bashkëpunëtorëve se prokurori Barr nuk arriti të paraqiste në mënyrë të duhur gjetjet e hetimit të tyre.

Washington Post thotë se anëtarët e ekipit të zotit Mueller besojnë se provat e mbledhura për pengimin ishin “alarmuese dhe të rëndësishme”.

New York Times thotë në raportin e tij se hetuesit janë të shqetësuar se për shkak që përmbledhja e zotit Barr ishte “tregimi i parë” mbi gjetjet e ekipit, pikëpamjet e opinionit do të orientohen para se të publikohet raporti përfundimtar.

Prokurori i Përgjithshëm tha se do të bëjë publik raportin pasi të redaktohet materiali i klasifikuar si sekret dhe dëshmitë në mirëbesim që ka dëgjuar një juri e madhe dhe hetuesit e grupit të punës të drejtuar nga zoti Mueller. Por, Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, votoi të mërkurën për të autorizuar kryetarin Jerry Nadler që të marrë kopjen e plotë të raportit përfundimtar të zoti Mueller dhe dëshmitë mbështetëse të tij.

Demokratët rritin presionin për publikimin e raportit të Muellerit

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili kontrollohet nga demokratët, ka miratuar lëshimin e thirrjeve të detyrueshme për gjyq, në mënyrë që të sigurojë raportin e plotë dhe dëshmi të tjera që lidhen me hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller rreth rolit të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara më 2016.

Komiteti ka autorizuar kryesuesin, Jerrold Nadler që të lëshojë këto lloje thirrjesh për Departamentin amerikan të Drejtësisë, që të publikohet raporti i plotë.

Të përfshira në këto thirrje do të jenë materialet që janë përdorur për hetimet e kryera nga Mueller.

Ky hap i lejon Nadlerit që të kërkojë dokumente dhe dëshmi nga pesë ish-ndihmës të presidentit amerikan, Donald Trump, duke përfshirë ish-këshilltarin e tij politik, Steve Bannon dhe ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Donald McGahn.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve i patën dhënë afat Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr që deri më 2 prill të publikojë raportin e plotë në Kongres.

Departamenti amerikan i Drejtësisë nuk ka plotësuar këtë kërkesë, derisa Barr i ka thënë kryesuesit Nadler se një version i redaktuar do të publikohet në mesin e muajit prill.

Mirëpo demokratët kanë shfaqur frikën se Barr, që është emëruar së fundmi nga presidenti Trump, do të shfrytëzojë procesin e redaktimit për të fshehur ndonjë të dhënë që tregon diçka në dëm të presidentit.

“Administrata e Trumpit ka një ide. Ata dëshirojnë të redaktojnë raportin e Muellerit para se ta dorëzojnë në Kongres”, ka thënë Nadler.

Mueller ka përfunduar hetimet kur ka dorëzuar raportin më 22 mars. Barr më pas i ka dorëzuar Kongresit një përmbledhje prej 4 faqeve me “përfundimet kyçe”.

Barr ka thënë se këshilltari special nuk ka gjetur se fushata e Trumpit ka qenë në koordinim me Rusinë për të fituar zgjedhjet dhe nuk është arritur tek ndonjë përfundim se Trump ka penguar drejtësinë.

SHBA hedh hapin e parë hakmarrës ndaj Turqisë mbi sistemin S-400

Pentagoni tha se pas disa muaj paralajmërimesh, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund lëvrimit të pjesëve të avionëve ushtarak F-35 në Turqi, një veprim hakmarrës për shkak të vendimit të Ankarasë që të vazhdojë me blerjen e sistemeve kundërajrore ruse.

Udhëheqësit më të lartë amerikanë janë kërcënuar në vazhdimësi se do të refuzojnë planet e Turqisë për të blerë avionë të avancuar F-35, nëse ajo nuk braktisë përpjekjet për të blerë sistemet ruse S-400.

Ndërprerja e dërgimit të pjesëve dhe doracakëve të nevojshëm për avionët gjatë kësaj vere, është hapi i parë drejt ndërprerjes së plotë të shitjes së avionëve.

Ushtruesi i detyrës së zëdhënësit të Pentagonit, Charles Summers, tha se “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta se blerja e sistemeve S-400 është e papranueshme. Derisa të heqin dorë nga sistemet S-400, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar dërgesat dhe nëse Turqia blenë sistemet S-400, pjesëmarrja e saj në programin F-35 është në rrezik”.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara pasoi deklarimet e ministrit turk të Punëve të Jashtme, i cili tha se vendi i tij është i përkushtuar ndaj marrëveshjes për blerjen e sistemeve ruse dhe po diskutohen datat e dorëzimit të tyre.

Udhëheqësit amerikanë të mbrojtjes kanë thënë që nëse Turqia, një aleate e NATO-s, nuk rishikon blerjen nga rusët, do të humbiste avionët dhe sistemet e tjera ushtarake amerikane.

Gjatë një dëgjimi në Kongres muajin e kaluar, gjenerali amerikan Curtis Scaparrotti, komandanti i lartë i NATO-s, tha se këshilla e tij kryesore është që Shtetet e Bashkuara të mos punojnë me një aleat që blen sisteme ruse që mund të kërcënojnë një nga mundësitë më të përparuara të ushtrisë amerikane.

Zyrtarët shprehën shqetësimin po ashtu se blerja nga Turqia e sistemeve amerikane dhe ruse, do të mund t’i jepte Moskës qasje në teknologjinë e sofistikuar amerikane dhe do t’i krijonte mundësi që të gjejë rrugë për t’iu kundërvënë sistemit F-35.

Në vitin 2017 Ankaraja nënshkroi një marrëveshje me Moskën për sistemin e raketave S-400. Në të njëjtën kohë, Turqia ka ndihmuar për financimin e programit F-35 dhe ka planifikuar të blejë 100 avionë nga SHBA-ja, pjesa e parë të cilëve është parashikuar t’i dorëzohet autoriteteve turke më vonë gjatë këtij viti.

10 vjet në NATO – Mesazhi i Ambasadës: Shqipëria mbështetet nga SHBA, premtimi që dha Bush më 2007

Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë një mesazh në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në një status në faqen zyrtare të “Facebook”, ambasada kujton fjalët e ish-presidentit amerikan, George W.Bush në vizitën e tij në Shqipëri, ndërsa siguron se Shqipëria mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkua ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek Shqipëria.

STATUSI
🇦🇱️🇺🇸️ | “Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë. Shpresoj se vizita e sotme do të dërgojë tek populli shqiptar mesazhin se ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu si Amerika mund të mbështetet tek ju, për të punuar fort për të përhapur lirinë dhe, si rrjedhojë, paqen,” tha ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George W. Bush gjatë vizitës së tij historike në Tiranë në 2007, teksa Shqipëria përgatitej të hynte në NATO.
Ndërsa Shqipëria feston 10 vjet anëtarësim në NATO, ushtarët amerikanë marshuan me krenari përkrah Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke i qëndruar këtij premtimi. Edhe sot, Shqipëria mund të mbështetet tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten tek Shqipëria. Gëzuar përvjetorin e 10-të, Shqipëri! #Shqiperia10Vjet #NeJemiNATO

SHBA, masa drastike përballë fluksit në rritje të azilkërkuesve

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të katërfishojnë numrin e azilkërkuesve që kthejnë mbrapsht çdo ditë në kufirin jugor të vendit. Zyrtarë të administratës Trump thonë se për shkak të fluksit në rritje të azilkërkuesve, sistemi amerikan i emigracionit gjendet pranë kolapsit. Vetë Presidenti Donald Trump kërcënoi se do të mbyllë krejtësisht kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Zyrtarët amerikanë të kufirit po planifikojnë të katërfishojnë numrin e azilkërkuesve që do të kthejnë mbrapsht çdo ditë përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Kjo është përpjekja më e fundit për të lehtësuar peshën ndaj sistemit amerikan të emigracionit, për të cilin zyrtarët e administratës Trump thonë se është pranë kolapsit. Qindra oficerë që më parë kontrollonin ngarkesat e mallrave dhe automjetet, tashmë janë caktuar për të ndihmuar në menaxhimin e emigrantëve, ndërsa Sekretarja e Sigurisë Kombëtare bëri thirrje për vullnetarë nga radhët e punonjësve të agjensive të tjera.

Këto përçapje bëhen ndërsa Presidenti Donald Trump kërcënoi se do të mbyllë krejtësisht kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Kjo masë do të kishte pasoja serioze ekonomike për të dyja vendet, ndërkohë që nuk do të ndalte kalimin e paligjshëm të emigrantëve, thonë banorët.

“Unë kam të afërm përtej kufirit. Gjyshja ime jeton në Mexicali. Unë kaloj kufirin çdo muaj, por shumë nga miqtë e mi e kalojnë çdo ditë pasi kanë familjet në anën tjetër. Jetët e tyre do të ndikohen. Do të jetë e tmerrshme për ta. Gjithashtu, shumë kompani në San Diego i marrin punëtorët nga Tijuana. Biznesi i tyre varet nga kjo gjë”, thotë Andrew Garcia, banor i qytetit San Diego, të Kalifornisë.

Autoritetet amerikane shpresojnë të rrisin nga 60, në 300, numrin e azilkërkuesve që kthejnë mbrapsht çdo ditë në secilën prej pikave kufitare në El Paso, San Ysidro dhe Calexico. Në bazë të planit të ri të shpallur që në datë 29 janar, ata dëbohen nga territori amerikan derisa të afrohet data e seancës kur një gjykatës i emigracionit do të shqyrtojë kërkesën e tyre për azil.

Praktika e kthimit të azilkërkuesve drejt Meksikës nuk përfshin ende megjithatë familjet me fëmijë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare është duke u përballur me një numër gjithnjë e më të madh fëmijësh dhe familjesh që kalojnë kufirin. Numri i të arrestuarve në muajin shkurt arriti një shifër rekord të 12 viteve të fundit dhe mbi gjysma e të ndaluarve ishin familje.

Nadleri kërkon që Kongresit t’i dërgohet raporti i plotë i Muellerit

Jerry Nadler, kryetar i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kryetari i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerry Nadler thotë se Prokurori i Përgjithshëm, William Barr duhet t’ia dërgojë Kongresit pa redaktime raportin për Rusinë të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller.

“Siç e kam njoftuar më herët gjatë javës Prokurorin e Përgjithshëm, Kongresi kërkon raportim e plotë të Muellerit, pa redaktime, si dhe qasje në provat kryesore deri më 2 prill. Ky afat mbetet ende në fuqi”, tha Nadler, përmes një deklarate të publikuar më 29 mars, pasi prokurori Barrtha se ai do të publikojë rreth 400 faqe të raportet në mesin e muajit prill, pasi të jenë redaktuar materialet e ndjeshme.

“Progresi ynë është i tillë dhe unë parashikoj se do të jemi në gjendje që ta publikojmë raportin në mesin e prillit, ose edhe më shpejt”, tha Barr.

Mueller e ka përfunduar hetimin e tij dhe ka dorëzuar raportin e tij më 22 mars. Barr ia dërgoi një letër prej katër faqesh Kongresit dy ditë më vonë, ku dha detajet e “përfundimeve kryesore të Muellerit”.

Këshilltari i Posaçëm nuk gjeti se fushata presidenciale e Trumpit ka bashkëpunuar me Rusinë për të fituar zgjedhjet, shkroi Barr, duke shtuar se po ashtu hetimet nuk kanë arritur në përfundimet se Trump ka penguar drejtësinë.

Barr po ashtu tha se ai dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosensteinkanë vendosur se dëshmia e Muellerit është e pamjaftueshme për të vërtetuar se Trump ka penguar drejtësinë.

Barr, në letrën e tij tha se disa informacione duhet të redaktohen përpara se raporti të publikohet, përfshirë këtu informacionet sekrete të Jurisë së Madhe dhe burimet e inteligjencës, që sipas ligjit, nuk mund të bëhen publike ose mund të cenojnë privatësinë.

Në një tubim më 28 mars në Miçigan, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka festuar përfundimin e hetimeve, që ai i cilësoi si “gënjeshtra dhe shpifje”.


Send this to a friend