VOAL

VOAL

Transparence e financave të Presidentit Trump

Perandoria e pasurive të patundshme të Presidentit Donald Trump ka siguruar miliona dollarë në të ardhura vitin e kaluar. Kjo gjë ka shtuar pikëpyetjet rreth mundësisë që bizneset e presidentit të kenë përfituar nga zyrtarë të qeverive të huaja.

Sipas një deklarate të zyrës mbi Etikën Qeveritare, hoteli luksoz “Trump International” që ndodhet në Uashington D.C, siguroi rreth 41 milionë dollarë vitin e kaluar, shumë kjo pak më e lartë krahasuar me një vit më parë.

Deklarata mbi të ardhurat, e cila është detyrim për të gjithë zyrtarët e lartë të qeverisë, paraqet një vështrim të shpejtë të borxheve, pasurisë, si dhe të ardhurave të zotit Trump prej qindra bizneseve në pronësi të tij.

Të dhënat tregojnë se të ardhurat nga Mar-a-Lago, ose ajo që njihet si “shtëpia e bardhë e zotit Trump gjatë periudhës së dimrit” që ndodhet Palm Beach, të Floridës, kanë pësuar një rënie me 2.5 milionë dollarë krahasuar me vitin 2017 (22.7 milionë dollarë për vitin 2018).

Që nga momenti që mori detyrën e Presidentit, zoti Trump është përballur me kritika të vazhdueshme lidhur me refuzimin e tij për të hequr dorë nga pasuritë, një vendim, që siç thonë kritikët, ka krijuar konflikt mes bizneseve dhe interesave të tij politike.

Në tërësi zoti Trump raportoi të ardhura prej të paktën 434 milionë dollarësh për 2018, një rënie me 16 milionë dollarë, krahasuar nga viti 2017. za

Gjykata Federale e Apelit vendim kundër administratës Trump për DACA-n

Sipas një vendimi të Gjykatës Federale të Apelit, administrata Trump ka vepruar në mënyrë “arbitrare dhe kapriçioze”, kur kërkoi që t’i jepej fund një programi të administratës Obama, që mbron nga dëbimi emigrantët e rinj.

Trupa gjykuese përbëhej nga tre anëtarë dhe vendimi u morr me miratimin e dy prej tyre dhe kundërshtimin e një anëtari të gjykatës. Sipas vendimit administrata Trump shkeli statusin federal me përpjekjen për t’i dhënë fund programit i cili shtyn veprimin për deportim të fëmijëve të sjellë në mënyrë të paligjshme në SHBA nga prindërit e tyre, pa i shpjeguar në mënyrë e duhur arsyet pse.

Gjykata e Lartë po vlerëson ankimin e administratës Trump ndaj vendimeve të gjykatave të një shkalle më të ulët, të cilat gjithashtu urdhëruan që DACA të qëndrojë në fuqi. Gjykatësit nuk kanë caktuar ndonjë datë për ndërmarrjen e veprimeve mbi këtë çështje.

Nëse Gjykata e Lartë vendos të dëgjojë ankimin, nuk pritet një vendim mbi këtë çështje deri në vitin 2020.

Shtëpia e Bardhë shqyrton dërgimin e 120 mijë trupave në Lindje të Mesme

Gjatë një takimi të këshilltarëve për siguri të presidentit amerikan, sekretari i mbrojtjes, Patrick Shanahan, e paraqiti planin e ndryshuar për dërgimin e 120 mijë ushtarëve në Lindje të Mesme në rast të ndonjë sulmi të mundshëm të Iranit ndaj forcave të Shteteve të Bashkuara.

Rishikimi i këtij plani ishte urdhëruar nga John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan. Sidoqoftë, ai nuk ka bërë thirrje për pushtim tokësor të Iranit, sepse një gjë e tillë do të kërkonte shumë më shumë trupa.

Ky zhvillim pasqyron ndikimin e Boltonit në administratën amerikane. Ai njihet si një nga armiqtë më të rreptë të Iranit dhe përpjekjet e tij për përballje me Tehranin ishin injoruar para një dekade nga ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush.

Mbetet e paqartë nëse presidenti Trump, i cili ka kërkuar tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe Siria, më në fund do të vendoste që të dërgojë kaq shumë forca amerikane përsëri në Lindje të Mesme.

Brenda Shtëpisë së Bardhë ka dallime të mëdha për mënyrën se si shteti më i fuqishëm i botës duhet të kundërpërgjigjet ndaj Iranit në kohën kur tensionet po rriten për shkak të politikave bërthamore dhe synimeve të republikës islamike në Lindje të Mesme.

Aleatët evropianë, të cilët u takuan me Pompeon të hënën, thanë se janë të brengosur për mundësinë e eskalimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Tehranit dhe pasojat e pakthyeshme të tyre, shkruan “New York Times”, transmeton Gazeta Express.

Në SHBA do të hetohet origjina e hetimeve Trump-Rusi

Prokurori i përgjithshëm amerikan, William Barr, emëroi një prokuror federal për të shqyrtuar origjinën e hetimeve të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016, raporton agjencia Associated Press.

Duke cituar një person të afërt me çështjen, AP tha se John Durham, prokuror në Konektikat, do të përcaktojë nëse mbledhja e informacioneve të inteligjencës nga fushata e presidentit Donald Trump ka qenë e ligjshme.

Trump i ka kërkuar këto hetime, pasi hetimet e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje i ka konsideruar si “gjueti shtrigash”, e bërë nga kundërshtarët e tij.

Trump dhe mbështetësit e tij po ashtu e kanë akuzuar Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në për spiunim të paligjshëm në fushatën e tij.

Kritikët e prokurorit të përgjithshëm, në anën tjetër, kanë thënë se Barr vepron në emër të presidentit dhe jo në interes të drejtësisë.

Muajin e kaluar, Barr u ka thënë kongresistëve se beson se ka pasur spiunim në fushatën e Trumpit.

Barr nuk ka dhënë detaje, por ka thënë se po mbledh një ekip për të parë origjinën e hetimeve, të cilat janë udhëhequr nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller.

Raporti 448 faqesh i Muellerit ka konstatuar se nuk ka pasur konspiracion kriminal mes Moskës dhe fushatës së Trumpit për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Megjithatë, Mueller ka përmendur dhjetë raste ku Trump mund të ketë bërë përpjekje për t’i penguar hetimet.

Raporti ka arritur në përfundimin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje “në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe sistematike”.

Pompeo niset drejt Brukselit para bisedimeve me Putinin në Rusi

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo pritet të arrijë në Bruksel të hënën, para se të niset drejt Rusisë, në vizitën e tij të parë si zyrtar i lartë amerikan, për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kohën kur ekzistojnë tensione në mes të Uashingtonit dhe Moskës.

Këto bisedime do të shënojnë diskutimet e nivelit më të lartë në mes të zyrtarëve amerikanë dhe atyre rusë, prej korrikut të vitit të kaluar, kur presidenti amerikan, Donald Trump dhe Putin janë takuar në Finlandë.

Në Bruksel, Pompeo do të takohet me zyrtarët evropianë për diskutuar rreth Iranit dhe çështjeve tjera.

Pompeo pritet të takohet me Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Soçi më 14 maj, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

“Pika kyçe kur të diskutojmë politikën tonë ndaj Rusisë, që është të theksojmë se Rusia ka ndërmarrë një varg të hapave destabilizues dhe agresiv në rangun global”, ka thënë një zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Ky zyrtar, duke folur në kushte anonimiteti, ka shtuar se takimi i Pompeos “është mundësi për t’i qartësuar këto pika me Qeverinë ruse dhe për t’i treguar pritshmëritë tona në të ardhmen”.

Kontrolli i armëve po ashtu pritet të jetë pikë e nxehtë e negociatave.

Në muajin shkurt, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pjesëmarrjen e tyre në Traktatin për Armët Bërthamore të vitit 1987, duke thënë se Rusia ka shkelur këtë marrëveshje duke zhvilluar sisteme raketore.

Moska ka mohuar këto pretendime dhe më pas ka vepruar njëjtë, duke u larguar edhe ajo nga marrëveshja.

Ai dokument u ka ndaluar SHBA-së dhe Rusisë, zhvillimin, prodhimin dhe pozicionimin e raketave me rreze nga 500 deri në 5,500 kilometra.

Trump ka biseduar me Putinin javën e kaluar përmes telefonit, për të diskutuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re për armët bërthamore që mund të përfshijë edhe Kinën.

Përndryshe, zyrtari amerikan ka thënë se në kuadër të bisedimeve mes Putinit dhe Pompeos do të përfshihet edhe kriza në Venezuelë, konflikti në Ukrainë, Siri dhe Iran, dhe gjithë zonat tjera ku Uashingtoni dhe Moska përkrahin palë të kundërta.

Para Pompeos, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi pritet të takohet me Lavrovin në Soçi më 13 maj.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Sekretari Pompeo drejt Moskës për takime me Presidentin Putin dhe Ministrin Lavrov

Takimi Pompeo-Lavrov më 6 maj 2019 në Finlandë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të takohet me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov javën e ardhshme, në një atmosferë marrëdhëniesh të acaruara mes dy vendeve për një numër temash përfshirë Venezuelën, Iranin dhe ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016-ës.

Sekretari i Shtetit niset të dielën për në Moskë për vizitën e tij të parë në Rusi si shef i diplomacisë amerikane.

Zyrtarë të lartë amerikanë, ndër ta zoti Pompeo dhe Nënpresidenti Mike Pence, e kanë akuzuar Rusinë se po punon kundër udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, duke mbështetur Presidentin Nicolas Maduro.

Uashingtoni e akuzon Rusinë se po përpiqet të rrisë influencën në hemisferën perëndimore përmes veprimeve në Venezuelë.

Zoti Pompeo mbërrin të hënën në Rusi, ku do të takohet me diplomatë amerikanë në ambasadën amerikane në Moskë, para takimit me përfaqësues të biznesit amerikan në kryeqytetin rus. Ai do të vendosë një kurorë tek Varri i Ushtarit të Panjohur në nderim të atyre që luftuan kundër nazizmit.

Të martën Sekretari amerikan i Shtetit MIke Pompeo do të shkojë në Soçi për bisedime me Presidentin Putin dhe Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kjo vizitë e zotit Pompeo zhvillohet ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për takimin e G-20 në Osaka të Japonisë ku do të marrin pjesë Presidenti Trump dhe Presidenti Putin.

“Është në interesin tonë të kemi marrëdhënie më të mira me Rusinë,” tha një zyrtar i lartë. “Kur kemi shqetësime, do t’i ngremë direkt, do të përpiqemi të ngushtojmë mospajtimet dhe të gjejmë fusha bashkëpunimi”.

Zyrtari nuk pranoi të bënte komente lidhur me mundësinë e një takimi mes dy presidentëve ndërkohë që ndodhen në Osaka për takimin e G-20. za

Zëri i Amerikës: Nis protesta e opozitës në Tiranë

Në Tiranë ka nisur protesta e opozitës përpara selisë së Qeverisë, e 12-ta në radhë që nga 16 Shkurti kur Partia Demokratike, Lëvizja socialiste për Integrim dhe aleatët e së djathtës u larguan nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të tyre.

Mësohet se afër 1500 forca të policisë janë angazhuar për manifestimin e sotëm. E gjithë zona rreth godinës së Kryeministrisë është e rrethuar me një gardh metalik sikurse dhe rrugët anësore që të çojnë drejt saj. Tymuese dhe qeska me bojë nisën të hidheshin drejt dritareve te ndërtesës që në momentet e para.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo ka vendosur të bojkotojë dhe zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, duke kërcënuar se nuk do të lejojë mbajtjen e tyre. “12 javë pas nisjes së kësaj beteje jua them me gojën plot se gjysma e punës është kryer: Shqipëria do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjysma tjetër e punës do kryer akoma”, deklaroi dje gjatë një takimi me mbështetësit e partisë së tij kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili i ka paraprirë protestës së sotme me një tur në shumë qytete të vendit.

Nga ana e saj shumica ka përsëritur se “zgjedhjet vendore do të zhvillohen në datën e caktuar dhe më 30 Qershor qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët e tyre”, ripërsëriti pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama.

Avokati i Trumpit anulon vizitën në Ukrainë

Avokati i presidentit amerikan, Donald Trump, Rudy Giuliani thotë se ka anuluar vizitën në Ukrainë.

Duke folur në televizionin amerikan, Fox News, Giuliani tha se ai “nuk do të shkoj”, sepse do të “gjendesha në mesin e një grup njerëzish që janë armiq të presidentit… dhe në disa raste, armiq të Shteteve të Bashkuara”.

Demokratët kishin kritikuar planet e Giulianit për të vizituar Ukrainën, pasi gazeta New York Times, e citoi Giulianin të ketë thënë se ai në Ukrainë do të shkojë për të inkurajuar hetimet nga qeveria e presidentit të ardhshëm, Volodymyr Zelenskiy.

Njëra nga hetimet ka origjinën në hetimin e këshilltarit të posaçëm amerikan, Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhje, dhe tjetra lidhur me përfshirjen e djalit të kandidatit demokrat për president, në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden, në një kompani të naftës që është në pronësi të oligarkëve ukrainas.

Kongresisti demokrat, Jorred Nadler tha se politika amerikan “është në gjendje të keqe” nëse avokati i presidentit kërkon ndërhyrjen e jashtme në zgjedhjet amerikane.

Hetimet mbi Rusinë mbeten temë e nxehtë politike

JPërkrahja për Presidentin Donald Trump është rritur, duke arritur në 46%, sipas një ankete të organizatës Gallup. Ky është niveli më i lartë i përkrahjes që nga ditët e para të presidencës së zotit Trump. Disa republikanë thonë se është koha për të lënë pas procesin hetimor lidhur me ndërhyrjet ruse. Por nuk duket se Presidenti Trump, apo kritikët e tij demokratë janë të gatshëm për një kapitull të ri. Të ndjekim materialin e korrespondentit të Zërit të Amerikës, Jim Malone:

Gjatë tubimit për fushatë në Florida, presidenti u kujtoi përkrahësve përfundimet e raportit të Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller:

“E patë çfarë ndodhi? Nuk u zbulua bashkëpunim i fshehtë. Nuk u zbulua pengim i drejtësisë. Asgjë. Duan të vazhdojnë me këtë marrëzi. Ndoshta po e analizoj gabim, por kështu si po shkon po na çojnë drejt fitores në 2020-ën, pasi njerëzit e kuptojnë çfarë po ndodh”.

Hetimet nuk zbuluan bashkëpunim të fshehtë mes fushatës së presidentit dhe Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2016-ës.

Prokurori Mueller nuk doli me konkluzion lidhur me dyshimet për pengim të drejtësisë, por as nuk u shpreh se presidenti ishte provuar i pafajshëm. Presidenti ka deklaruar disa herë se raporti e nxori të pafajshëm.

Republikanët thonë se ka ardhur koha për ta lënë pas procesin hetimor.

“Përfundoi. E kuptoj përse miqtë tanë të kahut tjetër politik janë të zhgënjyer. Janë përpjekur kaq shumë për të gjetur një mënyrë që të anulonin rezultatin e zgjedhjeve të 2016-ës,” tha kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.

Demokratët po përpiqen ta ndëshkojnë Prokurorin e Përgjithshëm William Barr për mosbindje ndaj Kongresit, sepse nuk pranoi të dorëzonte raportin e Prokurorit Mueller në formë të plotë.

“Ata po bllokojnë të drejtën e amerikanëve për informacion. Është e papranueshme,” thotë ligjvënësi demokrat Jerry Nadler.

Megjithatë, mes demokratëve ka dy kampe, pro dhe kundër fillimit të procesit për shkarkimin e presidentit.

“Procesi për shkarkim është një ndër më përçarësit që mund të ndërmarrim. Nëse e marrim atë rrugë, duhet t’i kemi të garantuara shanset e suksesit,” tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Republikanët kontrollojnë Senatin, duke i bërë shumë të vështira shanset e suksesit në procesin për shkarkim që mund të hapin demokratët, thotë eksperti David Abraham:

“Një proces për shkarkim që nuk ka aspak mbështetje nga republikanët do të përshkruhet gjatë fushatës zgjedhore si vazhdim i gjuetisë së shtrigave nga demokratë që nuk duan ta pranojnë se humbën zgjedhjet”.

Hetimet mbi ndërhyrjet ruse mbeten një temë e hapur politike dhe do të jenë pjesë e debatit presidencial, thotë eksperti John Fortier:

“Demokratët janë shumë të pakënaqur me presidentin, ndërsa shumë prej republikanë janë shumë të kënaqur me të. Kjo formulë krijon mobilizim politik. Megjithëse krijon situatë të acaruar, ajo i nxit njerëzit të dalin e të votojnë në zgjedhje”.

Megjithë zhurmën që shkaktoi procesi hetimor, popullariteti i Presidentit Trump ka mbetur pak a shumë i pandryshuar, thotë analisti Matt Dallek:

“Niveli maksimal që ka arritur është mjaft i ulët… rreth 44%. Nuk ka kapur kurrë 50% mbështetje. Është hera e parë që kur filluan anketat që një president nuk kap nivelin 50% të mbështetjes. Por edhe niveli minimal është mjaft i qëndrueshëm. Ai nuk ka rënë asnjëherë nën 36%”.

Presidenti vazhdon të deklarojë se raporti e nxori të pafajshëm, ndërsa demokratët do të vazhdojnë seancat dëgjimore mbi veprimet e administratës. Por fjala e fundit u takon votuesve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.

Palmer: Rusisë i konvenon një situatë e paqëndrueshme në Ballkan

Autore: Xhenana Halimoviq

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, tha se është koha që udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre dhe t’i udhëheqin vendet e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”, tha Palmer në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ai qëndroi në Sarajevë, ku takoi liderët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe udhëheqës të tjerë të rajonit, që ishin mbledhur për një forum të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Bosnja dhe Hercegovina ka bërë shumë përparim, por duhet të bëjë edhe më shumë, para së gjithash, në sferën e qeverisjes së mirë, në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, në rritjen e transparencës dhe në përmirësimin e klimës për investime”, tha Palmer.

I pyetur nëse ekziston një politikë unike ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Palmer u përgjigj pozitivisht.

“Para ardhjes sime në Sarajevë kam qenë në Bruksel dhe kam pasur rastin të takohem me disa përfaqësues të Bashkimit Evropian. Synimi ynë, kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, mbetet i pandryshueshëm. Ne duam të ndihmojmë rajonin që të lëvizë më tej drejt integrimit perëndimor, që të realizojë me sukses reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik”, tha Palmer.

“Të gjitha këto reforma do t’i ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen, para së gjithash, më të pasura dhe më të qëndrueshme dhe, rrjedhimisht, partnere më të mira si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për vendet e tjera. Vizioni ynë, por edhe i BE-së është i njëjtë dhe shumë i thjeshtë: një rajon i begatshëm dhe paqësor, në paqe me veten dhe fqinjët, rajon që përbën një pjesë të mirë të Evropës”, tha Palmer për Radion Evropa e Lirë.

Si shembull të mirë për këtë, Palmer përmendi Marrëveshjen e Prespës, e cila i ka dhënë fund kontestit të emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Sipas tij, kjo marrëveshje tregon se sa i rëndësishëm është lidershipi. Palmer tha se marrëveshja është arritur nga kryeministrat e dy vendeve dhe se bashkësia ndërkombëtare e ka mbështetur atë.

“Shpresoj se nga ky shembull do të nxjerrin mësime edhe udhëheqësit e Beogradit dhe të Prishtinës dhe të nisin rrugën e kompromisit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mirë”, theksoi Palmer.

Zyrtari i lartë amerikan tha se roli i SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i madh dhe i tillë do të vazhdojë të jetë.

Ai tha se Rusia, me siguri, dëshiron ta shohë rajonin të ndarë dhe me tensione.

Rusia do të vazhdojë me veprimet e saj si deri tash dhe me ndikim negativ, tha Palmer.

Ai përmendi rastin e Malit të Zi në vitin 2016, ku dy shtetas rusë, së bashku me disa të tjerë, kanë bërë komplot për të rrëzuar Qeverinë malazeze.

“Ne duhet të përballemi së bashku me këtë ndikim të keq. Institucionet e korruptuara janë hyrja më e mirë, porta më e mirë për një ndikim kaq negativ”, deklaroi Palmer për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Përgatiti: Valona Tela

SHBA: Donald Trump Jr thirret zyrtarisht nga Komisioni i Zbulimit

Komisioni i Senatit për Zbulimin ka thirrur zyrtarisht djalin e madh të Presidentit Donald Trump për ta pyetur mbi një dëshmi të tij të vitit 2017 përpara një komisioni të Kongresit që po hetonte rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje.

Komisioni ka treguar sërish interes për të pyetur Donald Trump Jr. pasi në muajin shkurt, ish-avokati i presidentit Michael Cohen, i tha një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, se e kishte informuar djalin e madh të presidentit rreth 10 herë mbi planin për të ndërtuar një kullë në Moskë.

Në 2017 Donald Trump Jr. i pati thënë komisionit Juridik të Senatit se kishte njohuri periferike rreth këtij plani.

Komisioni i Senatit për Zbulimin po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje si dhe lidhjeve të zotit Trump me Moskën gjatë dy viteve të fundit.

Kjo është kërkesa e parë zyrtare e ditur, që një komision i Kongresit i bën një anëtari afërt të familjes së Presidentit Trump dhe një sinjal i ri se ky komision po vazhdon hetimin mbi Rusinë edhe pas publikimit të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi të njëjtën çështje.

Nuk dihet ende nesë Donald Trump Jr. do të pajtohet me thirrjen zyrtare për t’u paraqitur në komision. za

FBI, në proces hetimi 850 raste për terrorizëm të brendshëm

Byroja Federale e Hetimit ka në proces hetimi 850 raste për terrorizëm të brendshëm, njoftoi një zyrtar i lartë i FBI-së.

Rreth gjysma e 850 e hetimeve përfshijnë aktorë kundër-qeverisë, kundër-autoriteteve, i tha ndihmës drejtori kundër terrorizmin në FBI Michael McGarrity komisionit për Sigurinë Kombëtare të Dhomës së Përfaqësuesve.

Dyzet për qind të tjerë janë ekstremistë që nxiten prej ndarjeve racore tha ai.

“Brenda kësaj përqindjeje pjesa dërmuese janë ekstremistë që motivohen nga raca dhe që mbështesin superioritetin e racës së bardhë”.

Zoti McGarrity tha se interneti dhe mediat sociale kanë nxitur rritjen kohët e fundit të kërcënimit që vjen nga ekstremistët e brendshëm, që siç tha ai zhvillohen në mënyrë të ngjashme me kërcënimet që vijnë nga ekstremistët islamikë vendas, të cilët FBI-ja i cilëson si ekstremistë të dhunshëm “të rritur në vend”.

“Ajo që po shohim është shpejtësia me të cilën subjektet tona po rriten si kurrë më parë”, tha ai.

Këta individë mund të shkojnë në internet dhe të gjejnë lehtësisht përmbajtje që përputhen me ideologjinë e tyre specifike, pa qenë nevoja të udhëtojnë apo të takohen me të tjerë personalisht, tha ai.

Kjo u mundëson atyre “të radikalizohen mjaft shpejt dhe pastaj të mobilizohen shpejt në akte dhune”, tha zoti McGarrity.

Seanca dëgjimore vjen në një kohë kur vdekjet nga sulmet e brendshme ekstremiste kanë njohur rritje në vitet e fundit, duke tejkaluar ato si pasojë e sulmeve me frymëzim fetar.

Vëmendja është përqendruar sidomos tek nacionalistët e bardhë që bashkojnë ndjenjat kundër emigrantëve me ato kundër afrikano-amerikanëve si dhe ndjenjat antisemite.

Muajin e kaluar një adoleshent i armatosur, i cili kishte postuar në internet një manifest të mbushur me urrejtje, hapi zjarr në një sinagogë në Poway të Kalifornisë, duke lënë një grua të vrarë dhe tre të tjerë të plagosur, mes tyre një rabin.

Ngjarja ndodhi gjashtë muaj pasi një person me bindje antisemite dhe pro nacionalistëve të bardhë vrau 11 persona dhe plagosi gjashtë të tjerë në një sinagogë në Pitsburg. za

Trump nënshkruan dekretin për sanksionet ndaj Iranit

Washington

Derisa tensionet mes SHBA-ve dhe Iranit po rriten presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar dekretin presidencial që sanksionon sektorët e hekurit, çelikut, bakrit dhe aluminit të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shtëpia e Bardhë në një deklaratë me shkrim njoftoi dekretin presidencial, të nënshkruar nga Trump.

Sipas dekretit presidencial në fjalë, administrata amerikane vendos sanksione mbi sektorët e hekurit, çelikut, aluminit dhe bakrit të Iranit.

Për dekretin që përkon me 1 përvjetorin e tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore me Iranin, Trump tha se “Sot po nënshkruaj dekretin presidencial që vendos sanksionet për hekurin, çelikun, aluminin dhe bakrin, të cilat janë burimi kryesor i eksporteve iraniane përveç naftës”.

Duke mbrojtur idenë e tij se Irani gjatë procesit të marrëveshjes bërthamore ka vazhduar të mbështesë terrorizmin, ka zhvilluar raketat dhe ka luajtur rol në konfliktet rajonale, Trump thekson se “Si rezultat i vendimeve tona, regjimi iranian tani po përpiqet të gjejë fonde për të mbështetur terrorizmin, ekonomia po hyn në një depresion të papritur, po thahen të ardhurat e qeverisë dhe inflacioni po del jashtë kontrollit”.

Pasi ka treguar vendimet e fundit të qeverisë për sanksione të reja, Trump tha se fushata e presionit maksimal kundër Iranit është e suksesshme.

Administrata e Trumpit njoftoi më 8 maj 2018 tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin të nënshkruar në vitin 2015.

SHBA-ja e cilat vendosi sanksione që synonin eksportet e naftës të Qeverisë së Teheranit, në prill vendosi në listën e “organizatave terroriste të huaja” Gardën Revolucionare të Iranit.

Ndërkohë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, njoftoi gjithashtu se si kundërpërgjigje ndaj tërheqjes së njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore, vendi i tij do të rivendoste në zbatim një pjesë të aktiviteteve bërthamore.

Kongresi pritet të votojë për ta mbajtur Prokurorin e Përgjithshëm përgjegjës për mosbindje

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të vendosë sot nëse kreu i Departamentit të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm William Barr, është përgjegjës për mosbindje ndaj Kongresit.

Departmenti i Drejtësisë refuzoi të dorëzojë kopjen e plotë pa shkurtime të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller për hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se Presidenti Trump përdori privilegjin ekzekutiv për të mos lejuar dorëzimin e materialeve të kërkuara nga Komisioni Juridik.

Mosbindja ndaj Kongresit është një shkelje ligjore, e cila shoqërohet me një gjobë deri në 1 mijë dollarë dhe me 12 muaj heqje lirie.

Gazeta: Trump përfitoi nga humbjet e biznesit për të shmangur taksat

Mes viteve 1985 dhe 1994 bizneset e Donald Trump-it kanë pësuar një humbje prej më shumë se 1 miliardë dollarësh, duke i mundësuar presidentit të ardhshëm të shmangë pagesën e taksave federale për tetë prej këtyre 10 viteve, thuhej në një artikull të publikuar të martën nga gazeta “New York Times”. Zoti Trump e cilëson veten si një sipërmarrës i suksesshëm dhe ekspert i marrëveshjeve të biznesit.

Por ai ka humbur vit pas viti edhe më shumë para krahasuar me çdo taksapagues tjetër amerikan, sipas gazetës.

Pjesa më e madhe e humbjeve të zotit Trump gjatë asaj periudhe vinte nga bizneset e tij kryesore, përfshirë hotelet, kazinotë dhe hapësirat e shitjeve me pakicë brenda komplekseve të banimit.

Në to përfshiheshin gjithashtu investimi i dështuar për një linjë ajrore, një ekip futbolli profesionist apo planet e papërfunduara në fushën e pasurive të paluajtshme.

Sipas “New York Times”, zoti Trump qe në gjendje të ruante një jetë luksoze gjatë gjithë këtyre viteve pasi shumica e parave të tij vinin nga bankat dhe mbajtësit e obligacioneve që kishin investuar në perandorinë Trump. Ai mbështetej edhe tek pasuria e babait të tij.

Por duket se zoti Trump nuk ka thyer ndonjë ligj federal, sepse sistemi amerikan i taksave u mundëson njerëzve të përftojnë zbritje në detyrimet tatimore kur bizneset e tyre pësojnë humbje.

Presidenti postoi një seri tweetesh të mërkurën duke e quajtur artikullin “një lajm tejet të pasaktë e të jashtëligjshëm!”

Sipërmarrësit e pasurive të paluajtshme në vitet 1980 dhe 1990, më shumë se 30 vite më parë, gëzonin të drejtën e uljeve masive nga taksat dhe përftimeve prej zhvleftësimit të pronës. Pjesa më e madhe nuk ishte përfitim në para, por përfitonin atë që quhej “strehë tatimore” (një marrëveshje financiare e bërë për të shmangur ose minimizuar taksat). Kjo mundësohej duke ndërtuar apo blerë prona. Duhet gjithmonë t’i bënim të ditura humbjet për qëllime tatimore … pothuajse të gjithë sipërmarrësit në fushën e pasurive të patundshme e kanë bërë këtë dhe shpesh rinegocionin me bankat”, shkruan zoti Trump.

Një nga avokatët e presidentit, Charles Harder, i tha gazetës se informacioni tatimor që kishte përdorur për artikullin ishte “qartësisht i rremë”.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të shtien në dorë deklaratat tatimore të zotit Trump prej vitit 2013 deri në vitin 2018, si pjesë e një hetimi që po kryejnë rreth marrëveshjeve të biznesit të huaj të presidentit.

Por sekretari për Thesarin Stiven Mnuchin, deri tani nuk ka pranuar t’u japë demokratëve informacionin e kërkuar, duke thënë se kërkesa nuk ka “qëllim ligjor legjitim”.

New York Times: Donald Trump tetë vjet nuk pagoi taksa

VOAL – Ndërmjet viteve 1985 dhe 1994 aktivitetet e menaxhuara nga Donald Trump përfunduan në të kuqe të thellë, me humbje prej rreth 1.2 miliardë dollarë, në prag të falimentimit. Kjo është ajo që del nga kopjet e deklaratave tatimore të paraqitura në ato 10 vjet tek autoritetet tatimore të SHBA dhe të marra nga New York Times.
Trump nuk kishte paguar taksat federale për të ardhurat për 8 nga 10 vitet në shqyrtim, duke përdorur ligjin sipas të cilit sipërmarrësit mund të përdorin humbjet e tyre për të shmangur pagesën e taksave mbi të ardhurat e mëvonshme. ansa

SHBA tërheqin ambasadoren nga Ukraina; demokratët protestojnë

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr përpara kohe diplomaten e karrierës Marie (Masha) Yovanovitch nga posti i ambasadores në Ukrainë. Departamenti i Shtetit tha se ky hap ndërmerret ndërsa në Kiev do të ndodhë tranzicioni drejt presidentit të ri të vendit.

Por dy ligjvënës kryesorë demokratë thonë se tërheqja e ambasadores është një “lëvizje e paramenduar politike”, me rrënjët tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Shtetit tha se 60-vjeçarja Yovanovitch, e emëruar nga Presidenti Barack Obama, është duke përmbushur mandatin e saj tre-vjeçar në Ukrainë “sipas planit”, megjithëse mandati i saj përfundon më 20 gusht.

Departamenti i Shtetit tha se kthimi i saj koinçidon me inaugurimin në muajin qershor të komedian Volodymyr Zelensky, si udhëheqës i Ukrainës, pas humbjes së thellë të Presidentit Petro Poroshenko gjatë votimeve të muajit të kaluar.

Ligjvënësi Steny Hoyer, udhëheqës i shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe Ligjvënësi Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, ngritën dyshime për shpjegimin e dhënë nga Departamenti i Shtetit për kthimin e parakohshëm të zonjës Yovanovitch. Ata u shprehën se ajo është një “punonjëse e dedikuar e shërbimit civil dhe një diplomate e kalibrit më të lartë, e cila përfaqësoi Shtetet e Bashkuara gjatë administratave demokrate dhe republikane”.

Ligjvënësit pretendojnë se “vendimi revoltues i Shtëpisë së Bardhë për rikthimin e saj është një lëvizje e paramenduar politike; lëvizja më e fundit e fushatës së kësaj administrate kundër personelit të karrierës të Departamentit amerikan të Shtetit. Është e qartë se ky vendim është politikisht i motivuar, ndërkohë që aleatë të Presidentit Trump u janë bashkuar aktorëve të huaj për të lobuar në favor të shkarkimit të ambasadores”.

Ligjvënësit Hoyer dhe Engel thanë se nëpërmjet tërheqjes së ambasadores Yovanovitch “vetëm disa muaj përpara se të përfundonte mandati i saj në Ukrainë, administrata po dëmton interesat amerikane dhe po dëmton diplomacinë amerikane”.

Mandati i ambasadores Yovanovitch në Kiev përkoi me hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016. Një ndër personazhët kryesorë të hetimit ishte ish-kreu i fushatës së Presidentit Donald Trump, Paul Manafort, i cili mori miliona dollarë pagesa si lobist për interesat pro-ruse në Ukrainë, të lidhura me Presidentin e larguar Viktor Yanukovych, ndaj të cilit u zhvillua një kryengritje popullore në vitin 2014.

Zoti Manafort tashmë është gjetur fajtor për disa krime financiare të lidhura me lobizmin e tij dhe është dënuar me 7.5 vite burg.

Prokurori i Përgjithshëm ukrainas Yuriu Lutsenko ka aluduar se informacioni për zotin Manafort u bë publik, me qëllimin për të ndihmuar fushatën e demokrates Hillary Clinton përballë zotit Trump. Gjatë muajve të fundit, Presidenti Trump i përqafoi këto aludime, në përpjekje për të hedhur poshtë pretendimet se ishte ndihmuar nga Rusia.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter në muajin mars: “Ndërsa zbehet bashkëpunimi i fshehtë me Rusinë, shfaqet komploti ukrainas për të ndihmuar (Hillary) Clintonin”.

Po në muajin mars, djali i madh i Presidentit, Donald Trump Jr., shkruajti në Twitter se SHBA-së i duhen më shumë ambasadorë konservatorë si Richard Grenell, ambasadori i emëruar në Gjermani nga Presidenti Trump, dhe më pak “ambasadorë shakaxhi” si znj. Yovanovitch. “Shtohen thirrjet për heqjen e ambasadores amerikane të Obamës në Ukrainë”, shkruante ai.

Ligjvënësit Hoyer dhe Engel i bënë thirrje Departamentit të Shtetit të rikthejë në detyrë ambasadoren Yovanovitch.

Ata thanë se “në këtë periudhë tranzicioni, Ukrainës i duhen profesionistë të aftë, si Ambasadorja Yovanovitch, më shumë se kurrë më parë”.

Qindra ish prokurorë federalë, analizë mbi akuzat për pengim të drejtësisë

Qindra ish prokurorë federalë kanë nënshkruar një letër, ku thuhet se Presidenti Donald Trump do të ishte akuzuar për pengim të drejtësisë, nëse ai do të kishte qenë një person i zakonshëm.

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller zbuloi se fushata e Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por citoi rreth 12 raste, në të cilat presidenti mund të jetë përpjekur të pengojë drejtësinë. Prokurori i Përgjithshëm William Barr dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein pastaj ndërhynë, duke thënë se faktet e sjella nga zoti Mueller ishin të pamjaftueshme për të ngritur akuza për pengim të drejtësisë nga Presidenti.

Por ish-prokurorët bëjnë të qartë në letrën e tyre, se janë të mendimit se provat anojnë më shumë në drejtimin tjetër.

Letra e ish-prokurorëve u publikua të hënën nga grupi “Protect Democracy”, i formuar dy vjet më parë, që është vazhdimisht kritik ndaj administratës Trump.

Reportazh nga Washington D.C. VIKTIMAT E LUFTES NE KOSOVE KERKOJNE DREJTESI NE KONGRESIN AMERIKAN NE UASHINGTON Nga Rafaela PRIFTI

– Pasqyrim i zgjeruar i Seancës Dëgjimore të Komisionit të Punëve të Jashtme –

Kryetari i Komisionit të Kongresit Amerikan për Punët e Jashtme, z. Eliot Engel e hapi seancën me një përshkrim të shpejtë të rrethanave globale njëzet vjet më parë. Në atë kohë tri shtete të cilat kishin qenë dikur në kampin komunist, Hungaria, Polonia dhe Republika Ceke u anëtarësuan në aleancën atlantike NATO, Boris Jelcin dha dorëheqjen dhe posti i presidentit të Rusisë kaloi te Vladimir Putin, Marrëveshja e Dejtonit kishte filluar të implementohej, ndërsa në Kosovë kishte nisur fushata e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Në bazë të raportit të vitit 2017 nga Qendra për Legjislacion Njerëzor të titulluar “Fshehja e provave të krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë”, qysh nga viti 2001 janë gjetur 941 trupa të shqiptarëve të Kosovës në katër varre masive në Serbi. Sipas raportit, vendimi për fshehjen e trupave dhe provave të krimit është marr në nivelet më të larta qeveritare qysh në mars 1999. Asnjë person i vetëm nuk është thirrur përpara ndonjë gjykate në Serbi për fshehjen në masë të të vrarëve shqiptarë në varreza masive. Raporti tjetër nga Organizata për të Drejtat Njerëzore tërheq vëmendjen tek një direktivë tjetër e ardhur nga Beogradi – dhunimi si mjet i vazhdimit të luftës në forma të tjera dhe si instrument të spastrimit etnik. Për viktimat e dhunës nuk ka pasur drejtësi, tha z. Engel. Si Amerika, ashtu edhe aleatët evropianë nuk ndërmorën veprime me vend. Madje Amerika dhe BE e detyruan Kosovën të krijonte ‘gjykatën speciale’ për të hetuar rastet e shkeljeve nga forcat e UCK-së. Ndërkohë Departamenti i Shtetit dhe aleatët tanë evropianë nuk kërkuan nga Beogradi që të vinte në zbatim drejtësinë si pjesë e programit të vendit drejt integrimit evropian. Z. Engel tërhoqi vërejtjen tek mandati i Dhomave të Specializuara të cilat deri tani kanë ndjekur penalisht vetëm shqiptarët. Ai tha se Komisioni i Punëve të Jashtme do ta monitorojë nga afër Gjykatën Speciale në mënyrë që të ndjekë ligjërisht të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Prandaj ka rëndësi që dëshmitë e panelistëve të ftuar këtu të dëgjohen, theksoi z. Engel, dhe prezantoi me radhë folësit.

Përfaqësuesi Republikan i nivelit të lartë i Komisionit, Michael McCaul tha se ndonëse ndërhyrja e NATOS përfundoi agresionin në qershor 1999, lufta nuk ka përfunduar për një numër të madh të viktimave. Duke shtuar se seanca është jo vetëm mundësi për të dëgjuar dëshmitë por dhe për të kërkuar rrugën e vendosjen së drejtësisë së mohuar. Z. McCaul shtoi se kurajo dhe guximi i tyre i jep zemër edhe të tjerëve të japin dëshmitë e tyre. Në emër të drejtësisë dhe në emër të atyre që e kërkojnë atë, folësit paraqitën dëshmi gojore të detajuara: Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga foli për statusin e grave të dhunura, Vasfije Krasniqi për mbijetesën prej dhunimeve të kohës së luftës, Ilir Bytyqi për rastin e tri vëllezërve të tij dhe Profesor Paul R. Williams për diskordancën midis mandatave ligjore të instancave ndërkombëtare dhe vendore që kanë mundësuar moszbatimin e drejtësisë deri më sot.

Ish-Presidentja e Kosovës iu drejtua Përfaqësuesve me fjalët, “sot mbaj peshën e mijra jetëve që u sakatuan nga lufta në Kosovë. Ato duan të dëgjohet zëri i tyre dhe kërkojnë drejtësi për krimet e kryera ndaj tyre.”  Në kontekstin e sotëm të përpjekjeve për normalizim të marrëdhënieve me shtetin fqinj dhe ish-agresorin, për të negociuar paqen, tha ajo, del parësore cështja e drejtësisë ndaj krimeve të luftës dhe krimeve ndaj njerëzimit të kryera nga forcat e regjimit serb gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Është fjala për jetët e civilëve dhe të pafajshmëve, për të mbijetuarit që ende vuajnë pasojat e luftës, për të pagjeturit dhe familjet e tyre. Znj. Jahjaga citoi disa të dhëna nga dokumentet e mbledhura nga Humanitarian Law Center, Kosovo, për periudhën 1998-2000. Sipas dëshmive, numri i civilëve të vrarë arrin 13, 535 prej të cilëve 1,230 fëmijë dhe 1,647 ende të pagjetur, përafësisht 20,000 femra dhe meshkuj shqiptarë kanë përjetuar dhunë seksuale si taktikë lufte, në periudhën mars-prill 1999, në kulmin e fushatës së spastrimit etnik, rreth një milion refugjatë u shpërngulën nga vendi. Gjatë periudhës 1998-1999 kanë ndodhur qindra ekzekutime në masë por vetëm 74 prej tyre janë të dokumentuara. Në shtojcën e dëshmisë së saj, qe ia dorëzoi Komisonit, ishin publikuar të dhënat për datat dhe vendet e 74 varreve masive. Në lidhje me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë, folësja tha se nuk ka arritur të vendosë drejtësinë për viktimat si edhe të krijojë dokumentacion të plotë të akteve kriminale të kryera gjatë kohës së luftës. E njëjta ineficiencë u përcoll nga gjykatat e drejtuara nga OKB-ja në Kosovë të cilat ndonëse kishin mandate për hetime në shkallë të gjerë bënë shumë pak për evidentimin e krimeve, sqaroi znj. Jahjaga.

Ne që kemi përjetuar luftën, ia dimë më shumë vlerën paqes.” tha folësja e parë e seancës. Por paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse autoritet serbe nuk pranojnë përgjegjësitë e regjimit të Milloshevicit për krimet e kryera në Kosovë. Për të ecur drejt pajtimit, Serbët kanë rastin më të mirë të distancohen dhe të tregojnë se nuk janë si paraardhësit e tyre. Ndërsa poltika e shmangieve nga tema, fshirjes së dallimit midis agresorit dhe viktimës, ambiciet për ndryshim të kufijve flasin për mungesë interesi për një të ardhme në paqe. Duke marrë si shembull edhe fjalimin e presidentit serb Vucic në Mitrovicën veriore vitin e kaluar, znj. Jahjaga dëshmoi se klasa politike që drejton Serbinë sot po ecën në hapat e regjimit të Milloshevicit. Pasojat e gjuhës së urrejtjes i kemi përjetuar dhe e dimë mirë se ku cojnë, shtoi ajo. Ish-presidentja e Kosovës e përfundoi dëshminë me porosinë “Kosova është e përkushtuar të ndërtojë të ardhme në paqe për vendin dhe rajonin, dhe dëshirojmë që edhe serbët të demonstrojnë të njëjtin përkushtim.”

Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare në degën juridike në Universitetin Amerikan si edhe president dhe bashkëthemelues i Entit të Udhëzimeve dhe Legjislacionit Ndërkombëtar, mbajti dëshminë gojore për t’i dhënë fund shkarjes nga përgjegjësia për aktet kriminale gjatë kohës së luftës në Kosovë. Analiza e tij e plotë prej 22 faqeve iu dorëzua Komisionit. “Për cdo viktimë duhet të vendoset drejtësia dhe cdo kriminel duhet të përgjigjet për krimet e veta.” tha profesori Williams. Duhet të kemi kujdes nga sllogani se të gjitha palët janë përgjegjëse. Gjatë luftës në Kosovë forcat e angazhuara nga regjimi serb ishin autorë përgjegjës për më shumë se 80 për qind të akteve kriminale. Duke cekur periudhën e pasluftës, folësi tha se mekanizmat hibride të krijuara nga UNMIK-u dhe EULEX-i vepruan në raporte shpërpjesëtimore për zbatimin e drejtësisë. Ai tha se gjykimet për dhunën seksuale gjatë luftës duhet të jenë pjesë e padive për krimet e luftës. Në vitin 2015 komuniteti ndërkombëtar ushtroi presion ndaj Kosovës për krijimin e Dhomave të Reja të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specialist me seli në Hagë. Aty pritet të gjykohen vetëm shqiptarët që ishin në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Nëse ky është funksioni i Gjykatës, tha ai, atëherë kjo në thelb i jep amnesti të gjithë autorëve që kryen krime me nxitjen e regjimit serb dhe efektivisht i mbyll derën drejtësisë për qindra mijra viktima në Kosovë, përfshirë 20,000 viktima të dhunimeve seksuale të kohës së luftës. Hendeku i përgjegjësisë për krimet e luftës është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare ku hyn edhe Shtetet e Bashkuara, theksoi eksperti ligjor. Profesori Williams e paraqiti dëmin e shkaktuar deri më sot nga miopia e sponsorëve ndërkombëtarë, me këto fjalë: “…ekuivalenca morale e pavërtetë, ngritja e gjykatave të llojit etnik, mohimi i dhënies së drejtësisë për viktimat, dhe kultivimi i padrejtësive etnike, e dobëson legjitimitetin e mekanizmave të sjelljes përpara përgjegjësisë dhe aftësisë së tyre për t’i hapur rrugë pajtimit –cka është thelbësore për një paqe të qëndrueshme.”  Në fund, folësi dha mendime për ta rivendosur integritetin e Dhomave të Specializuara duke sqaruar mandatin e dekretuar nga parlamenti i Kosovës për ndjekjen e krimeve të luftës. Si edhe bashkëpunimin midis Amerikës me qeverinë e Kosovës, për të kërkuar nga Zyra e Prokurorit Specialist t’i jap përparësi hetimit të krimeve të përdhunimeve të lidhura me periudhën e luftës.

Folësi i tretë i seancës Ilir Bytyqi, shqiptaro-amerikan nga Staten Island, nga Fondacioni i vëllezërve Bytyqi iu drejtua Komisionit me fjalët: Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni paqen në Ballkan, ne nuk mund të injorohemi.” Ai tha se nuk mund të arrihet marrëveshje afatgjate midis Serbisë dhe Kosovës, pa ngritur cështjen e viktimave. Trupat e tre vëllezërve Bytyqi u gjetën në një varr masiv në një qendër trajnimi në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Autoritetet serbe hapën një hetim për rastin në vitin 2002, por deri më tani nuk janë ngritur akuza. Ilir Bytyqi akuzoi autoritet serbe për mbrojtjen e vrasësve. Ai tha përpara Komisionit se Presidenti Aleksandër Vuçiç mbron kriminelët që vranë vëllezërit e tij, të cilët u vranë pasi u arrestuan nga policia serbe në vitin 1999 pas përfundimit të luftës së Kosovës. Në fushatën e tij për drejtësi ai kërkoi nga Kongresi, Bashkimi Evropian, Serbia dhe Kosova që të japin ndihmë për raste të tilla dhe të tjera të mbetura pa përgjigje. Në dëshminë e tij Ilir Bytyqi tha se Rezoluta 32 e paraqitur nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve dhe të Komisionit për Punë të Jashtme, Lee Zeldin, Kryetari Engel dhe Grace Meng dhe  miratuar nga Kongresi verën e kaluar, pati shumë efekt në Serbi. Dhe për më tepër, folësi mbështeti qëndrimin e shprehur nga Kryetari i Komisionit Engel që Serbia të mos lejohet të hyj në Bashkimin Evropian derisa të jetë në gjendje të provojë se do të sjellë para organeve të drejtësisë kriminelët e luftës dhe ata që janë përgjegjës për fshehjen e krimeve. Z. Bytyqi kërkoi nga autoritetet në Serbi ta ndërrojnë kursin e drejmit të politikës së tyre, ndërsa qeveria e Kosovës të shtojë përpjekjet për të kërkuar drejtësi për viktimat.

Folësja e katërt ishte Vasfije Krasniqi Goodman, një nga gratë e para në Kosovë që ka treguar publikisht se ishte viktimë e përdhunimit gjatë kohës së luftës. Ajo dëshmoi se kur ishte 16 vjeçe u përdhunua nga policia serbe në fshatin e saj në vitin 1999. Më vonë ajo e raportoi rastin në UNMIK dhe EULEX. Ndonëse autori i krimit është identifikuar, kanë kaluar njëzet vjet dhe për mua nuk ka pasur drejtësi, tha znj. Krasniqi. Në fund, ajo iu drejtua anëtarëve përfaqësues të Kogresit Amerikan të veprojnë pa humbur kohë në emër të drejtësisë për viktimat.

Pasi u paraqitën dëshmitë gojore, seanca vazhdoi me pyetjet nga anëtarët e Komisionit për folësit. Më pas përfaqësuesit e shoqatave pjesëmarrëse në seancë si edhe organizatorë të Ditës së Veprimit, vizituan zyrat e disa anëtarëve të Kongresit. Mbasdite u mbajt protesta përpara Ambasadës Serbe në Uashington.

 

Teqeja e parë shqiptare e Amerikës feston 65-vjetorin

Teqeja e parë bektashiane shqiptare e Amerikës mbushi 65 vjet. Teqeja ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe u themelua nga Baba Rexhepi, i cili për komunitetin bektashian, por edhe për shqiptarë të tjerë ka statusin e një shenjti. Në kompleksin e Teqesë ndodhet edhe Tyrbja e Baba Rexhepit. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte të dielën në Tejlor dhe na dërgoi këtë material.

Dervishi i Teqesë bektashiane shqiptare është Eliton Pashaj. Ai është njeri energjik dhe e njeh mirë komunitetin.

Në zyrën kryesore ku priten njerëzit dominon portreti i Baba Rexhepit, themeluesit të komunitetit bektashian të shqiptarëve të Amerikës. Ai erdhi në Amerikë në vitin 1952, për t’iu larguar përndjekjes së komunizmit pas luftës dhe ndërtoi këtë teqe.

“Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri.Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre.”

Teqeja është një ndërtesë e hijshme, e ndërtuar me punën e shqiptarëve dhe mbahet me shpenzimet e tyre. Por donacionet e besimtarëve nuk mjaftojnë. Baba Rexhepi ka lënë disa apartamente dhe me qeranë e tyre paguhen shpenzimet.

“Këto janë apartamentet që Baba Rexhepi i ka bërë përpara se të hapej Shqipëria.”

Dervishi i Teqesë na fton të vizitojmë vendin e shenjtë pak metra më larg. Këtu prehet Baba Arshiu, një tjetër figurë e rëndësishme e komunitetit.

Francis Trix është studiuese e sufizmit dhe prej një kohe të gjatë ka marrë mësime nga Baba Rexhepi.

“Nisa të studioja me Baba Rexhepin kur isha studente dhe vazhdova deri sa ai ndërroi jetë në vitin 1995.”

Zonja Trix është autore e dy librave për Baba Rexhepin.

“Doja që bota të dinte për Baba Rexhepin sepse ai ishte i jashtëzakonshëm. Vëzhgoja se ai ai komunikonte me njerëzit. Ishte shumë i mençur dhe nuk kritikonte kurrë. Ai mbante të veshur rrobën e gjatë, hirka, për të cilën thoshte se e kishte për të mbuluar mëkatet e të tjerëve. Ai ishte një shenjt. Njeri si ai nuk gjeje. Dinte shtatë gjuhë dhe kishte njohuri për islamin klasik, atë suni dhe natyrisht për islamin mistik.”

Tradita bektashiane, thotë zonja Trix është shumë e pasur. Janë 700-800 vite traditë poetike, dituri, njohuri mistike për Islamin.

Sot, komuniteti është mbledhur për të festuar 65-vjetorin. Nga Shqipëria ka ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi. Imam Shuajb Gërguri përfaqëson komunitetin mysliman, ndërsa Dom Ndue Gjergji, përfaqëson katolikët.

“Ne me këtë komunitet na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prengë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore. Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare. Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë, feja, atdheu. Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët tanë jemi një.

Teqeja sot ka një rol më të ndryshëm se më parë.

“Një pjesë e madhe e komunitetit që ne kemi këtu është sepse ne sot vazhdojmë që fëmijëve shqiptarë t’u mësojmë gjuhën shqipe. Kemi klasat ku çdo fundjavë u bëjmë mësim për gjuhën dhe për fenë bektashiane.”

Michael Malushi është student.

“Brezi i ri është shumë i zënë me shkollë dhe gjëra të tjera. Është e vështirë që ata të vijnë këtu, por sa herë që vijnë ndihen të lumtur. Është një vend i shkëlqyer nga ana shpirtërore, një vend ku mëson shumë dhe ku të rinjtë ndihen mirë për veten e tyre.”

Por nëse Teqeja do të arrijë të mbledhë rreth vetes më shumë të rinj për të përçuar traditën e saj tashmë 65-vjeçare, të një Shqipërie të vogël në Miçigan, kjo mbetet për t’u parë.

Trump: aleancë e fortë SHBA-Rusi për një botë më të mirë e më të sigurt

Presidenti Donald Trump tha të shtunën se një aleancë e fortë SHBA-Rusi mund të rezultojë në një bashkësi më të mirë botërore.

“Ka potenciale shumë të mëdha për marrëdhënie të mira me Rusinë,” shkroi presidenti Trump në Twitter një ditë pasi kishte zhvilluar një bisedë telefonike të cilën e cilësoi shumë pozitive, me presidentin rus Vladimir Putin. “Bota mund të jetë më e mirë dhe më e sigurt”, tha ai.

Në bisedën që zgjati më shumë se një orë, presidenti Trump tha se Venezuela ishte një nga temat që diskutoi me presidentin rus Putin.

Ai nuk mendon të përfshihet në krizën që ka përfshirë Venezuelën, përveçse dëshiron të shohë diçka pozitive atje. Ndjehem po ashtu“, u tha presidenti Trump gazetarëve të premten pasdite në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur së bashku me kryeministrin sllovak Peter Pellegrini, zoti Trump e cilësoi diskutimin e tij me Presidentin Putin mbi Venezuelën si “shumë pozitiv”.

Tensioni është rritur ditët e fundit mes Uashingtonit dhe Moskës për shkak të ngjarjeve gjithnjë e më destabilizuese në Karakas. Administrata Trump ka akuzuar rusët për moslejimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro të heqë dorë nga pushteti e të largohet nga vendi.

Kjo është hemisfera jonë. Nuk është vendi ku rusët duhet të ndërhyjnë“, tha të mërkurën këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, gjatë një telefonate zhvilluar më parë këtë javë, njoftoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për ato që i cilësoi, “pasoja të rënda” nëse do të kishte hapa të mëtejshëm agresivë në Venezuelë, çka u interpretua si një paralajmërim për Uashingtonin që të mos ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë.

Dy diplomatët e lartë pritet të takohen gjatë sesionit ministror të Këshillit të Arktikut që mbahet në Finlandë javën e ardhshme dhe Venezuela është një nga çështjet që pritet të diskutohet mes tyre.

Ata do të kenë mundësi, sigurisht, që të takohen dhe të shqyrtojnë çdo temë që ata zgjedhin“, u tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit gazetarëve në një tele-konferencë përpara udhëtimit të sekretarit Pompeu.

Ekipi i Sigurisë Kombëtare të presidentit përfshirë këshilltarin John Bolton, Sekretarin e Mbrojtjes Patrick Shanahan, nënsekretarin e Mbrojtjes John Rood dhe komandandin e Forcave Jugore Craig Faller u takua të premten në Pentagon për diskutime të nivelit të lartë mbi çështjet e ndjeshme dhe operacionet ushtarake.

Zyrtarët e mbrojtjes thonë se ata diskutuan mbi alternativat për Venezuelën.

Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme,” tha zonja Sanders si përgjigje ndaj një pyetje të Zërit të Amerikës, nëse ky takim kishte si temë një ndërhyrje ushtarake në Venezuelë.

Ajo përsëriti se “të gjitha opsionet vazhdojnë të jenë në tavolinë“, siç kanë thënë vazhdimisht disa zyrtarë të administratës gjatë javëve të kaluara.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore nuk e njohin më Nikolas Maduron si udhëheqësin legjitim të Venezuelës, duke njohur Juan Guaidos, si president president të përkohshëm të vendit.

Përveç kësaj, u diskutua mundësia e një “marrëveshjeje bërthamore” që do të përfshinte Shtetet e Bashkuara, Rusinë ndoshta dhe Kinën.

Presidenti Trump tha se gjithashtu se diskutoi me presidentin Putin rreth raportit të Prokurorit të Posaçëm Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016.

“Ai (Putini) buzëqeshi kur tha se nisi si një mal e dhe përfundoi të ishte një mi”, tha zoti Trump.

I pyetur nga Zëri i Amerikës rreth asaj se çfarë mund të bënte për të përmirësuar marrëdhëniet dhe komunikimin e tij me mediat, kur më 3 maj u shënua Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, presidenti Trump u përgjigj se kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me disa gazetarë. za

Bennett: Zëri i Amerikës i mbrojtur me ligj nga influenca politike

Anush Avetisyan

Në Ditën Ndërkombëtare të Shtypit është me vend të kujtohen sakrificat e shumta që bëjnë gazetarët në çdo skaj të botës, qoftë në rajone konfliktesh, apo në vende me qeveri autokrate, për të ndjekur lajmin dhe për të zbardhur të vërtetën për audiencën e tyre. Zëri i Amerikës ka ndërmarrë kohët e fundit një nismë në mbështetje të lirisë së shtypit. Në një intervistë me kolegen e shërbimit rus të Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan, drejtoresha e Zërit të Amerikës Amanda Bennett flet për situatën aktuale të shtypit në Shtetet e Bashkuara dhe në botë dhe për punën që bën agjencia që ajo drejton në shërbim të gazetarisë etike dhe të përgjegjshme.

Anush Avetisyan: Misioni i Zërit të Amerikës është të shërbejë për botën si model i një medias të pavarur, të pacensuruar, megjithëse financohet me fonde publike. Si mund të sigurohet audienca jonë globale që administrata amerikane nuk ndikon tek vendimet që merr Zëri i Amerikës për përmbajtjen e materialeve që transmeton?

Amanda Bennett: Një nga gjërat e mrekullueshme të Zërit të Amerikës është se misioni ynë është gazetaria e pacensuruar, e saktë, e bazuar tek faktet. Në Shtetet e Bashkuara kemi ligje shumë të forta që na e bëjnë ne të mundur të operojmë veçmas nga qeveria. Një nga ligjet specifikisht nuk lejon zyrtarët qeveritarë të vijnë e të na thonë çfarë të bëjmë. Siç e dini, të gjithë në Zërin e Amerikës e kuptojnë më së miri dhe e respektojnë këtë ligj. Ne kemi krijuar edhe kulturën e punës ku ndiqet dhe respektohet ky ligj.

Anush Avetisyan: Duke ditur se audienca jonë, veçanërisht në Ballkan dhe në Rusi ekspozohet ndaj programeve të sponsorizuara nga qeveria dhe shumë prej tyre nuk janë të familiarizuar me misionin e Zërit të Amerikës, si do t’i bindim se lajmet tona janë të drejta dhe të balancuara? Në epokën kur presidenti i Shteteve të Bashkuara ushqen idenë e lajmeve të rreme, si mund të arrijë Zëri i Amerikës të bindë shikuesit e tij se ne nuk përhapim lajme të rreme?

Amanda Bennett: Nuk më pëlqen fraza “lajme të rreme” sepse nëse është “e rreme” nuk është “lajm”. Pra termi “lajme të rreme” nënkupton dy koncepte: nënkupton diçka të sajuar dhe të qarkulluar me synimin për të mashtruar njerëzit. Po ashtu ka marrë edhe një kuptim tjetër që nuk më pëlqen. Qeveritë në mbarë botën përdorin termin “lajme të rreme” kur hasin në lajme që i kritikojnë. Këto nuk janë lajme të rreme, në fakt janë lajme të sakta. Pra, duke u treguar njerëzve në mbarë botën se çfarë po bëjnë qeveritë e tyre unë mendoj se po bëjmë gjënë më të mirë për t’u treguar njerëzve se jemi të paanshëm. Ne zhvillojmë vazhdimisht anketa; anketojmë njerëzit në të gjithë botën dhe vërejmë se gëzojmë besim në masën 65%. Pra në botë rreth 65% e njerëzve që na ndjekin besojnë se ne jemi një grup mediatik i besueshëm. Unë e shikoj si diçka të mrekullueshme. Nuk di të ketë ndonjë organizatë tjetër mediatike në botë, përveç BBC-së që ka shifra të tilla.

Anush Avetisyan: Duke pasur parasysh si u zhvilluan ngjarjet gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës, çfarë do të rekomandonit që duhet të bëjnë njerëzit për të dalluar lajmet e rreme nga ato të besueshme?

Amanda Bennett: Ky problem shfaqet në mbarë botë. Në të gjithë globin njerëzit po përpiqen të gjejnë mënyra për ta bërë këtë dallim. Ne kemi filluar operacione për konfirmim faktesh. I filluam në të njëjtën kohë që filluam rrjetin tonë të transmetimeve 24-orëshe në rusisht. Analizojmë informacione që dalin përmes deklaratave ruse; kërkojmë të gjejmë nëse ka fakte që mbështesin këto deklarata. Kjo është një nga mënyrat për të analizuar diçka: duke analizuar nëse bazohen në fakte ose nëse janë thjesht deklarata në ajër. Ne besojmë me forcë tek fakti. Ne besojmë se në realitet ekziston ajo që quhet fakt.

Anush Avetisyan: Në lidhje me Ditën e Lirisë së Shtypit doja të dija çfarë përgjigje do të jepnit, nëse një zyrtar i administratës do të përpiqej të ndikonte tek raportimet e Zërit të Amerikës?

Amanda Bennett: Në fakt do të ishte mjaft e lehtë, pasi kemi ligje që na mbrojnë. Kujdo që përpiqet të ndikojë tek mbulimi ynë do t’i thoja: Faleminderit për sugjerimin, por nuk më kërkohet ta marr në kosideratë. Nuk kam përse udhëhiqem nga sugjerimi juaj pasi kam këtë ligj që më mbron. Do t’u tregoja ligjin dhe do t’u thosha: nëse përpiqeni të më detyroni të bëj këtë, do të shkelnit ligjin dhe në këtë vend ne respektojmë ligjet. Ne veprojmë brenda ligjit, njerëzit respektojnë ligjin. Njerëzit në Kongres, në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Shtetit e repsketojnë ligjin.

Anush Evetisyan: Në një postim në Twitter në nëntor 2018, Presidenti Trump sugjeroi… po e citoj: “Duhet të krijojmë një rrjet amerikan për transmetime ndërkombëtare për t’i treguar botës se sa vend i mrekullueshëm jemi”. Ju i jeni përgjigjur këtij postimi. Do të doja të dija, nëse krijohet një rrjet i tillë siç e sugjeron presidenti amerikan, çfarë roli do të luante për Amerikën si një vend që mbështet lirinë e shtypit?

Amanda Bennett: Reagimi im është se ne e kemi këtë rrjet global që pasqyron se sa vend i mrekullueshëm është Amerika. Që pasyron aspekte të mrekullueshme si Amendamentin e Parë (që mbron lirinë e fjalës dhe të shtypit). Kjo është një nga gjërat që e bën këtë vend të mrekullueshëm. Nuk kemi nevojë të bëjmë propagandë për ta treguar se sa të mrekullueshëm jemi. Mjafton të transmetojmë materiale që kritikojnë qeverinë, materiale që kundërshtojnë deklaratat e zyrtarëve qeveritarë. Mendoj se presidenti po sugjeronte diçka që në fakt është në ekzistencë. Ne kemi një rrjet global që transmeton në 45 gjuhë në më shumë se 60-70 vende të botës, ku pasqyrohet sa e mrekullueshme është Amerika. Duke treguar sa e mrekullueshme është Amerika, ne gjithashtu tregojmë edhe gjërat që nuk shkojnë krejt mirë. Kjo është në fakt një ndër gjërat e mrekullueshme të Amerikës, se mund të tregojmë të dyja anët e argumentit.

Anush Avetisyan: A mund të flisni për serinë: Rrëfejmë Përvojën e Amerikës? Si gazetarë të Zërit të Amerikës ne tani kemi mundësi të udhëtojmë për të mbuluar ngjarje jo vetëm nga zonat përreth Uashingtonit, por edhe nga pjesë të tjera të Amerikës. Përse mendoni se kjo është e rëndësishme?

Amanda Bennett: Kur flasim për pasqyrimin e Amerikës, nuk bëhet fjalë vetëm për materiale që pasqyrojnë politikën e jashme apo qeverinë. Nëse je në kryeqytetin e një vendi dhe mbulon ngjarjet në atë kryeqytet, nuk je duke pasqyruar realitetin në atë vend. Shtetet e Bashkuara janë një vend shumë i larmishëm, i pasur në eksperienca. Fakti që ishim të përqëndruar kryesisht tek kryeqyteti, Uashington, tek zhvillimet këtu, nënkupton se nuk po pasqyronim Amerikën. Unë fillova të pyes njerëzit nga vende të ndryshme se çfarë u intereson të dinë. Ata thanë se duan të dinë për arritjet teknologjike amerikane, duan të dinë për rajonin Silicon Valley. Duan të dinë për biznesin dhe sipërmarrjen amerikane. Duan të dinë për sistemin arsimor në Shtetet e Bashkuara. Për muzikën amerikane. Këto gjëra ndodhin në mbarë Shtetet e Bashkuara. Prandaj i nxis të gjithë të dalin, të gjejnë histori të reja për tema që janë vërtetë pasqyruese të Amerikës.

Anush Avetisyan: Si do ta përshkruanit klimën aktuale të punës për gazetarët në Shtetet e Bashkuara? Si mund të ndikojë kjo klimë tek puna e gazetarëve të Zërit të Amerikës?

Amanda Bennett: Mendoj se në Shtetet e Bashkuara është një situatë mediatike shumë më e tensionuar. Por gjithashtu nuk jam aspak dakord se ne jemi në vend të 48-të për nga liria e shtpit (renditja bazohet në raportin e fundit të organizatës Gazetarët Pa Kufi). Nuk mendoj se është një renditje aspak realiste. Një ndër gjërat që kam arritur të bëj si drejtoreshë e Zërit të Amerikës janë udhëtimet nëpër disa nga vendet ku transmetojmë. Kur kthehem nga këto vende ndjehem gjithmonë mirënjohëse për ligjet e mrekullueshme dhe për praktikat e kulturën që kemi në këtë vend dhe që na japin mundësinë ne gazetarëve të bëjmë punën tonë. Kam vizituar vende ku gazetarët i kanë nxjerrë zvarrë, i kanë arrestuar, u kanë konfiskuar ose shkatërruar pajisjet. Raste kur gazetarëve u kërcënojnë të afërmit. Pra plot gjëra të tmerrshme. Ka gjëra që ndodhin këtu, por asgjë në përmasat dhe nivelin që vërehet në disa vendeve ku transmetojmë. Prandaj nuk mendoj se renditja për lirinë e shtypit në Shtetet e Bashkuara është e saktë. Ne gëzojmë mundësinë për të raportuar lirisht. Prandaj përgjegjësia për të raportuar mbetet mbi ne gazetarët.

Anush Avetisyan: Lidhur me përgjigjen e mësipërme se në disa vende të botës puna e gazetarit është e rrezikshme. Ne kemi gazetarë në vende të tilla, si për shembull në Kinë, Vjetnam, Iran, Somali, Azerbajxhan, të cilat renditen në fund të listës. Çfarë vështirësish hasin gazetarët e Zërit të Amerikës në këto vende?

Amanda Bennett: Është e tmerrshme që është vërtetë e rrezikshme të jesh gazetar në shumë pjesë të botës. Ajo që më mrekullon dhe më bën të kuptoj më mirë fuqinë e gazetarisë është fakti që njerëzit e vazhdojnë këtë mision. U themi bashkëpunëtorëve tanë në vende të ndryshme të rrezikshme se është e rëndësishme të mbulojmë ngjarjet, por asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e tyre. U themi të tregohen të kujdesshëm në çdo hap dhe të mbrojnë veten. Pavarësisht nga të gjitha këto, për një arsye ose një tjetër, arsye që ne i kuptojmë, ata duan me shpirt të bëjnë punën. Duan të ndjekin lajmin. Gazetarët vënë veten në rrezik të jashtëzakonshëm për t’u përcjellë njerëzve të vërtetën. Besoj se kjo tregon se çfarë fuqie ka lajmi.

Anush Avetisyan: Desha të ndalesha te Rusia. Në Ditën e Lirisë së Shtypit vjet, John Lansing (Shefi Ekzekutiv i Agjencisë Për Media Globale, ku përfshihet edhe Zëri i Amerikës) tha “një nga vendet më të këqija, më të rrezikshme (për gazetarët) është Republika Ruse dhe vendet e ish-Bashkimi Sovjetik”. A mund të na shpjegoni përse u krijua rrjeti Current Time në rusisht që transmeton 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë? Cili ishte synimi në spektrin e gjerë?

Amanda Bennett: Ne donim t’u jepnim njerëzve, jo vetëm në Rusi, po kudo ku flitet rusishtja qasje tek lajmet objektive, të bazuara tek faktet lidhur me Shtetet e Bashkuara dhe me rajonin. Ne e shohim se ka kërkesë për këto lajme. Prandaj akorduam burime të shumta për të krijuar këtë rrjet 24/7 që u ofrohet shikuesve dhe lexuesve jo vetëm në Rusi, por kudo ku flitet rusishtja në botë.

Anush Avetisyan: Sa qasje të lirë ka Zëri i Amerikës për të mbuluar zhvillimet në Rusi?

Amanda Bennett: Kemi qasje përmes redaksive tona dhe përmes kolegëve në Radion Evropa e Lirë, po ashtu kemi gazetarë edhe këtu në Uashington. Dallohet edhe në krahasim me periudhën kur sapo fillova punë si drejtoreshë e Zërit të Amerikës, se gjërat po vështirësohen. Janë miratuar ligje të ndryshme që përpiqen për të kufizuar qasjen tonë, vizat për t’u futur në Rusi dhe aftësinë për të lëvizur lirisht. Pa dyshim është më e vështirë, por nuk është e pamundur.

Anush Avetisyan: Ministri rus i Drejtësisë e përfshiu Zërin e Amerikës, emisionin Current Time dhe Radion Evropa e Lirë në listën e “mediave të huaja që kryejnë funksione ai agjentë të huaj”. Për korrespondentët tanë në Rusi, çfarë nënkupton ky status? Çfarë nënkuton për punën e tyre? Sa të lirë janë ata të raportojnë?

Amanda Bennett: Ata përpiqen të jenë sa më të lirë që munden për të raportuar gjërat bazuar tek faktet. Ne nuk duam të kufizohemi në ato që mbulojmë thjesht për të garantuar se do të vazhdojmë të lejohemi të operojmë në atë vend. Ne duam të qëndrojmë në një vend për sa kohë që mund të raportojmë lirisht dhe në mënyrë të drejtë. Besojmë se ende jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Pa dyshim jemi të shqetësyar për sigurinë e gazetarëve tanë në vende të tilla. Por aktualisht besojmë se ende mund të vazhdojmë të raportojmë lirisht.

Anush Avetisyan: Rusia po përpiqet të kufizojë disa pjesë të internetit. Çfarë ndikimi do të kishte një gjë e tillë tek Zëri i Amerikës dhe transmetimet Current Time? A ka të ngjarë që të humbasin aftësinë për të transmetuar? Apo për postime në median sociale? Nëse ndodh kjo, a ka një strategji që mund të zbatonte Zëri i Amerikës në këto rrethana?

Amanda Bennett: Këto janë veprime që janë praktikuar nga qeveri që ndjekin praktika kufizuese. Por kam vënë re se edhe në vende ku dënohesh me vdekje nëse dëgjon Zërin e Amerikës, si për shembull në Korenë e Veriut, do të gjesh njerëz që na dëgjojnë. Për shembull në Iran. Kemi 16-17% të tregut televiziv në vende ku ndjekja e emisioneve tona është shumë e kontrolluar. Njerëzit gjejnë mënyra. Fakti që ata na gjejnë dëshmon se megjithëse vendosen kufizime, njerëzit e kërkojnë, e duan të vërtetën dhe do ta gjejnë në një mënyrë apo një tjetër. Në Kinë, ku autoritetet kanë në zbatim një “mur” bllokues dhe ku klima po bëhet edhe më kufizuese, kinezët janë gjithnjë e më kureshtarë për botën. Ata gjejnë mënyra për të kapërcyer bllokadat dhe mendoj se edhe populli rus do të bëjë të njëjtën gjë.

Anush Avetisyan: Rusia ka ligj kundër reklamimit të ekzistencës së personave homoseksualë; Rusia nuk e konsideron si krim dhunën në familje; Rusia i trajton Dëshmitarët e Jehovait si ekstremistë dhe i përndjek. Si mund të ndihmojë rrëfimi i përvojës amerikane në këtë drejtim? A mund të hedhim në dritë mbi këto probleme të shoqërisë ruse duke raportuar mbi përvojën amerikane?

Amanda Bennett: Ne nuk jemi aktivistë; ne nuk synojmë të krijojmë ndryshime sociale, por duam të tregojmë realitetin këtu në Shtetet e Bashkuara. Ta zëmë ne realizojmë një material televiziv mbi mjekësinë dhe aty sheh një mjek homoseksual, apo sheh një grua që punon si mjeke. Kjo tregon se njerëzit në Shtetet e Bashkuara janë të lirë të ndjekin karrierën, pavarësisht nga prirjet personale, apo gjinia. Ne nuk jemi aktivistë, por për ne mjafton të tregojmë të vërtetën.

Anush Avetisyan: Ju ishit e para grua redaktore në të përditshmen Philadelphia Inquirer dhe në agjencinë e lajmeve Bloomberg News. Ju krijuat këtu në Zërin e Amerikës Grupin e Punës për Gruan. Përse ishte e nevojshme kjo nismë? Çfarë mendoni se do të sjellë?

Amanda Bennett: Mendoj se do të sjellë ndryshime. Këto janë nisma të nevojshme sepse shkollat e gazetarisë sot kanë mbi 50% diplomante femra, megjithatë profesioni ynë nuk e trajton gruan barabar. Shpesh mundësitë për gratë gazetare, ashtu si në fusha të tjera nuk janë të barabarta me ato për burrat. Nuk di si mund të drejtosh një organizatë mediatike të suksesshme dhe të flasësh për të drejtat e njeriut pa u dhënë grave të drejtat më bazë. Është e nevojshme t’u tregojmë njerëzve, burrave e grave në këtë agjenci se të drejtat e grave duhen respektuar dhe nxitur; po ashtu duam t’u tregojmë grave që mund të mos kenë pasur rastin të ushtrojnë këto të drejta, por tani është koha të ngrenë zërin. Unë e shoh këtë si shumë të rëndësishme për një organizatë mediatike. Mendoj se në këtë organizatë kemi qenë mjaft të suksesshëm në fuqizimin e gruas për të ndryshuar mendësinë për punën dhe karrierën e tyre.

Anush Avetisyan: Krahasuar me vitin 1975 kur ju filluat karrierën në gazetari, çfarë sfidash të asaj kohe ende nuk kanë gjetur zgjidhje?

Amanda Bennett: Së pari duhet të ndalemi e të kujtojmë që të kuptojmë sa shumë kanë ndryshuar gjërat. Kur mendon vetëm për problemet e sotme, harron sa kemi përparuar në një periudhë relativisht të shkurtër. Kur fillova punë në gazetën Wall Street Journal për 10 vjet isha e vetmja grua në redaksi. Bëheshin plot shaka të pista, gjeste… E tillë ishte atmosfera në mbarë Shtetet e Bashkuara. Tani është mjaft ndryshe. Ka më shumë gra, ka edhe në poste të larta, në udhëheqje. Ndër sfidat që mbeten janë ato që janë ngritur nga Lëvizja #MeToo — #EdheUnë. Po ashtu ende kemi problemin e pagave të barabarta, megjithëse është bërë përparim i madh në gazetari. Megjithëse rreth 50% e personelit në nivele të ulëta janë gra, në nivelet e larta shumica janë burra. Këtu tek Zëri i Amerikës kemi në udhëheqje tre gra. Pra e gjithë udhëheqja e lartë është e përbërë nga gra. Nuk di që të ketë një organizatë tjetër mediatike në botë ku ka një përqëndrim të tillë të grave në nivelet më të larta. Mendoj se ne po dëshmojmë se gratë mund të udhëheqin organizata shumë të mëdha, apo të vogla. Ne po dëshmojmë se udhëheqja e gruas është e fuqishme.

Anush Avetisyan: Në karrierën tuaj, ju keni investuar shumë në gazetarinë investigative. Këtu tek Zëri i Amerikës kemi një ekip të gazetarisë investigative që punon me shërbimet e gjuhëve të ndryshme për projekte investigative. Përse kishte rëndësi për ju që të ndërmerrnit këtë inciativë? Si arrijnë gazetarët këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të kenë qasje tek dokumentet shtetërore, vendimet e gjykatave?

Amanda Bennett: Ligjet që mundësojnë qasjen tek dokumentat shtetërore ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Disa vende për çudi lejojnë qasje më të madhe se ç’mund të mendohet. Por në shumë vende njerëzit nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi. Prandaj po përpiqemi të ndihmojmë me ekspertizën që kemi krijuar gjatë viteve për t’u treguar njerëzve si të kërkojnë dokumente, informacion. Në shumë raste nuk ka nevojë të gjesh dokumente sekrete pasi informacioni është haptazi. Një nga gjërat që përpiqemi të tregojmë është si të gjesh një temë që duhet rrahur, por që nuk është e lehtë të mbulohet. Po ashtu, si ta raportosh në një mënyrë që të mbahet mend, si të gjesh faktet për të vërtetuar një argument. Nuk mund të bësh një artikull investigativ thjesht duke thënë se po ndodh diçka e tmerrshme. Kërkohet një raportim serioz, kërkohen fakte. Pra ekipi ynë investigativ ka dy qëllime.

Anush Avetisyan: Si e gjykoni, a kanë gazetarët qasjen e duhur në dokumentacione qeveritare këtu në Shtetet e Bashkuara?

Amanda Bennett: Pa dyshim. Një nga gjërat që disktojmë është si të përdorim Ligjin për Transparencën në Qeverisje si mjet investigative, pasi ka plot informacione që kemi të drejtën t’i marrim por nuk i gjejmë. Pra është e rëndësishme të mësojmë si t’i gjejmë. Gazetarët e Zërit të Amerikës kanë të njëjtën të drejtë si kushdo tjetër për ta shfrytëzuar këtë ligj.

Anush Avetisyan: A ka ndonjë kufizim mbi gazetarët e Zërit të Amerikës që nuk ushtrohet mbi gazetarë të tjerë? Për shembull, a ka individë që trajtohen si të paprekshëm nga gazetarët e Zërit të Amerikës, për të cilët nuk mund të flasësh, nuk mund të bësh artikuj investigativë?

Amanda Bennett: Nëse ti më vjen me një ide të mirë, më tregon se mund të dalë një artikull i mirë dhe se ti ke talentin dhe njohuritë për ta bërë, e ke rrugën e hapur për të bërë gjithçka.

Anush Avetisyan: T’i kthehemi serialit për të realizuar materiale mbi përvojën amerikane. Përse e menduat me rëndësi që ta realizonte Zëri i Amerikës dhe të transmetohej në gjuhë të ndryshme?

Amanda Bennett: Historitë mbi përvojën amerikane janë shumë, shumë interesante. Mendova se gazetarët e Zërit të Amerikës nuk po e shfrytëzonin sa duhet këtë linjë që unë e konsideroj si më interesanten në botë. Ajo përfshin histori dinamike, të mëdha, interesante. Kemi zhvillime fantastike shkencore; kemi probleme krimi; kemi tensione racore. Kemi njerëz shumë bujarë, ndër filantropët më të mëdhenj në botë. Ke plot për të mbuluar. Më vinte keq që gazetarët e Zërit të Amerikës ishin të ngurtë në ide dhe shkruanin vetëm për Uashingtonin ku vërtetë ka zhvillime interesante. Por Uashingtoni nuk përfaqëson gjithë Amerikën. Kemi komunitete interesante. Kemi zona ruse në shumë qytete në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Ka myslimanë që po konkurrojnë për vende në Kongres. Këto janë tema fantastike dhe duhet t’ua ofrojmë shikuesve tanë sepse do t’i pëlqejnë. Po ashtu, është shumë kënaqësi të bësh mbulime të tilla.

Anush Avetisyan: Një tjetër nismë që keni marrë ka qenë për lirinë e shtypit. Ju keni emëruar edhe Redaktorin e Lirisë së Shtypit tek Zëri i Amerikës. Përse e patë të nevojshme?

Amanda Bennett: Përse është krijuar Zëri i Amerikës? Sepse nevojitet liria e shtypit. Vetëm 13% e njerëzve në botë jetojnë në vende ku shtypi është vërtetë i lirë. Rëndësia e shtypit të lirë ka qenë pjesë e ekzistencës sonë, e identitetit tonë. Prandaj thashë se nuk i takon askujt më shumë se ne të shkruajmë ide, opinione, të realizojmë video, programe radiofonike për lirinë e shtypit. Në këtë agjenci kemi njerëz nga e gjithë bota, nga vende ku njerëzit burgosen për punën si gazetarë, ku torturohen, vriten për raportime. Njerëzit në këtë agjenci e dinë mirë vlerën e shtypit të lirë. Mendoj se kjo është një ndër temat që duhet ta diskutojmë vazhdimisht në transmetimet tona, që njerëzit që na ndjekin ta kuptojnë vlerën e shtypit të lirë dhe po ashtu të kuptojnë rreziqet me të cilat përballen gazetarët. Mendoj se jemi një ndër organizatat e pozicionuara më mirë për ta diskutuar këtë temë.

Anush Avetisyan: T’i kthehemi edhe një herë diskutimit mbi lajmet e rreme. Çfarë do të donit t’u thonit dëgjuesve tanë për gazetarinë dhe vlerën e lajmit?

Amanda Bennett: Gazetaria dhe gazetarët duhet të ndjekin faktet. Nuk duhet të rendin pas opinioneve; nuk duhet të bëjnë aktivizëm. Nuk duhet të përpiqen të ndikojnë tek njerëzit në një mënyrë apo një tjetër. Detyra jonë është të zbulojmë se si është realiteti në botë, jo se si e do dikush të jetë ky realitet. Opinionet nuk kanë rëndësi. Me rëndësi është fakti, realiteti. Duhet të zbulojmë faktet dhe t’i paraqesim sa më drejtë që është e mundur për shikuesit tanë.

Dita e Shtypit, SHBA rithekson angazhimin për mbrojtjen e lirisë së gazetarëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë angazhimin për mbrojtjen e sigurisë dhe lirisë së gazetarëve.

Në një deklaratë, zoti Pompeo tha se pavarësisht përparimit të bërë, gazetarët në mbarë botën vazhdojnë të përndiqen, të jenë në shënjestër të dhunës, madje edhe të vriten, ndërkohë që autorët e krimit mbeten pa u ndëshkuar.

Një medie e lirë dhe e pavarur, thuhet në deklaratë, është e domosdoshme për një demokraci të gjallë dhe funksionale dhe SHBA nderojnë ata që i janë përkushtuar, madje kanë sakrifikuar jetën për të mbështetur demokracinë përmes gazetarisë.

Këtë vit, marrëdhënia midis shtypit dhe demokracisë është tema kryesore e përkujtimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Me këtë rast, në të gjithë botën do të zhvillohen më shumë se 100 aktivitete.

Trump emëron zonjën Kelly Craft ambasadore të SHBA-së në OKB

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump paraqiti zyrtarisht emërimin e zonjës Kelly Craft si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Kjo pozitë e rëndësishme në SHBA ka qenë e hapur për muaj të tërë, pasi Nikki Haley dha dorëheqje nga ky post në fund të vitit 2018.

Trump në muajin shkurt njoftoi se kishte për qëllim të emërojë në këtë pozitë Kelly Craftin, e cila aktualisht është ambasadore e SHBA-së në Kanada.

Diplomatja amerikane ka qenë anëtare e delegacionit të SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së gjatë administratës së presidentit, Xhorxh W. Bush.

Ajo është gruaja e miliarderit Joe Craft. Të dy mbështetën fushatën presidenciale të Trumpit në vitin 2016 dhe janë donatorë të rëndësishëm të Partisë Republikane.

Pas emërimit nga ana e presidentit Trump, diplomates Craft tash i duhet konfirmimi edhe nga ana e Senatit amerikan.

Facebook fshin llogaritë e disa personaliteteve amerikane

Kompania Facebook ka bllokuar disa llogari të personaliteteve të së djathtës politike amerikane për shkeljen e ndalesës së rrjetit për “individë të rrezikshëm”, ka njoftuar kompania më 2 maj.

Llogaritë e fshira nga Facebook përfshijnë edhe faqen Infowars të Alex Jones i cili shumë shpesh ka postuar teori konspirative.

Facebook njoftoi gjithashtu se e ka bllokuar Paul Nehlen, një supremacist i bardhë i cili ka kandiduar për Kongres në vitin 2018. Në këtë masë të rrjetit social është përfshirë edhe Louis Farrakhan i cili udhëheq një grup religjioz të quajtur “Kombi Islam”. Ai është bllokuar në Facebook pasi ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj hebrenjëve.

Kompania ka bërë të ditur se do të bllokojë çdo llogari, faqe, grupe dhe ngjarje që lidhen me këta individë, si në rrjetin e saj kryesor social Facebook, ashtu dhe në aplikacionin e tij të shpërndarjes së fotografive Instagram.

Raporti i Muellerit: Thellohen përçarjet midis demokratëve dhe Departamentit të Drejtësisë

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, demokratja Nancy Pelosi, tha se Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, e ka gënjyer Kongresin.

Akuzat vijnë pas dëshmisë së prokurorit Barr përpara një paneli të Senatit në lidhje me raportin e këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Barr u përball me pyetje të vështira për vendimin e tij për të shfajësuar presidentin Donald Trump nga pengimi i drejtësisë.

Por ai refuzoi të dëshmojë të enjten para Komitetit të Drejtësisë, të udhëhequr nga demokratët.

Situata tani ngre mundësinë që Barr, zyrtari më i lartë ligjor i Amerikës, të mbahet përgjegjës për mospërfillje të Kongresit.

“Ai e ka gënjyer Kongresin. Dhe, nëse dikush tjetër do ta bënte këtë, do të konsiderohej krim”, tha Pelosi.

“Askush nuk është mbi ligjin”, shtoi ajo.

Akuzat e Pelosit vijnë pasi Barr tha se ai nuk ka ditur se Mueller ka pasur ndonjë ankesë rreth përmbledhjes që i ka bërë ai raportit të tij.

Mueller tha se i ka shkruar letër prokurorit Barr, duke i thënë se përmbledhja e tij nuk ka “kontekst”.

Mueller tha se i ka kërkuar dy herë Barrit për të publikuar më shumë informacione rreth hetimeve të tij.

“Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara nuk ia tregoi të vërtetën Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ky është krim”, tha Pelosi.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec, tha se “sulmi i pabazuar kundër prokurorit të përgjithshëm është i papërgjegjshëm”.

Barr e publikoi raportin e Muellerit më 18 prill, me disa pjesë të redaktuara, për të mbrojtur, siç u tha, informacionet e ndjeshme.

Disa demokratë bënë thirrje që Barr, i cili është emëruar nga Trump, të japë dorëheqje.

Pelosi po ashtu tha se administrata Trump vazhdon t’i shpërfillë thirrjet e detyrueshme të Kongresit për gjyq dhe kujtoi se Kongresi ka nisur procedurë të votëbesimt kundër ish-presidentit Richard Nixon, pasi ky i fundit u ka rezistuar thirrjeve të ngjashme.

Trump tha në një intervistë për Fox News se nuk do ta lejojë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, të dëshmojë para komiteteve të Kongresit.

Kryetari i Komitetit për Drejtësi, Jerrod Nadler, lëshoi thirrje të detyrueshme për gjyq për McGahnin, për të dëshmuar për pengimin e mundshëm të drejtësisë nga ana e presidentit Trump.

Trump tha se McGahn ka folur tashmë me ekipin e Muellerit për 30 orë.

Në raportin e tij, Mueller, ish-drejtor i FBI-së, ka konstatuar se nuk ka prova të mjaftueshme që tregojnë se Trump ka bashkëpunuar me Rusinë, por ka zgjedhur të mos konkludojë nëse Trump e ka penguar drejtësinë.

Barr ka thënë se ai dhe Rod Rosenstein, zyrtari numër dy në Departamentin e Drejtësisë, kanë konstatuar pastaj se nuk ka pasur prova të mjaftueshme për ta akuzuar Trumpin për pengim të drejtësisë.

Përgatiti: Valona Tela

Ish-agjenti i CIA-s pranon se ka bashkëpunuar me agjentët kinezë

Ish-agjenti i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Jerry Chun Shing Lee pranoi akuzat me të cilat ngarkohet se ka patur marrëveshje me agjencinë kineze të inteligjencës për shitjen e informacioneve sekrete të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Lee, i cili në vitin 2007 u largua nga CIA dhe vitin e kaluar u arrestua në SHBA, para gjykatës amerikane pranoi se kishte marrëveshje me agjentët kinezë për shitjen e informacioneve të mbrojtjes kombëtare të SHBA-së që ishin nën kategorinë “sekret”.

Ai akuzohet se ka kryer spiunazh për Kinën ndërsa para Gjykatës Rajonale në Alexandria, të Virxhinias, pranoi fajësinë dhe tha se kishte një marrëveshje sekrete me Kinën për grumbullimin dhe dërgimin e informacioneve.

Ende nuk dihet nëse Lee ka arritur t’i shesë Kinës informacionet në fjalë ndërsa gazeta amerikane “Washington Post” publikoi se avokati G. Zachary Terwilliger, i cili në këtë rast përfaqëson Qeverinë e SHBA-së, tha se Lee ka shitur vendin e tij dhe se ka bërë marrëveshje që të bëhet spiun i një qeverie të huaj.

Lee (54) për CIA-n punoi në periudhën nga 1994 deri 2017 ndërsa supozohet se kontaktin me shërbimin inteligjent kinez e realizoi në vitin 2010.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan refuzon dëshminë për raportin e Muellerit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr.

Udhëheqësi i Departamentit amerikan të Drejtësisë, William Barr, ka informuar Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve se nuk do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore, lidhur me raportin e këshilltarit special, Robert Mueller, duke rritur mundësitë për betejë të ashpër në mes të demokratëve dhe administratës amerikane.

Prokurori Barr, ka thënë para Komitetit Gjyqësor të Senatit, të kontrolluar nga republikanët se ai nuk do të jetë pjesë e Komitetit të drejtuar nga demokratët për shkak të mosmarrëveshjeve të lidhura me formatin.

Pavarësisht njoftimit të tij, drejtuesi i Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerold Nadler ka thënë se ai ende do të organizojë seancën.

“Unë shpresoj dhe pres që prokurori i përgjithshëm do ta shqyrtojë mundësinë që të jetë aty”, ka thënë Nadler.

Barr ka thënë se ka kundërshtuar formatin e seancës pasi demokratët kanë vendosur që një staf i avokatëve të kryejë një raund të pyetjeve pasi të përfundojnë kërkesat ligjvënësit.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec ka thënë se pyetjet shtesë janë “të pashembullta dhe të panevojshme”.

Ende nuk është bërë e qartë nëse Nadler do të nisë një thirrje të detyrueshme për prokurorin Barr, apo nëse ai do të paraqitet në seancë pasi të diskutohen kushtet e takimit.

Barr është paraqitur para senatorëve në Komitetin Gjyqësor të Senatit derisa demokratët i kanë kërkuar që të theksojë dallimet që ata kanë vlerësuar se ekzistojnë në mes të raportit të Muellerit dhe versionit të redaktuar që ka publikuar ai.

Para paraqitjes së prokurorit Barr, një tjetër Komitet i Kongresit ka publikuar një letër që Mueller i ka shkruar prokurorit amerikan duke u ankuar se përmbledhja që ai i ka bërë raportit “nuk ka përfshirë kontekstin, natyrën dhe substancën” e përfundimeve të tij.

Demokratët kanë akuzuar prokurorin Barr se ka mbrojtur presidentin amerikan, Donald Trump dhe ka analizuar vetë raportin e Muellerit, duke deklaruar se presidenti amerikan nuk kryer krim.

Raporti i Muellerit bëhet libri më i shitur në SHBA

Versioni i publikuar i raportit të këshilltarit special, Robert Mueller dhe hetimet e tij për Rusinë është kthyer në librin më të shitur në Shtetet e Bashkuara.

Lista e librave më të shitur, që është prezantuar nga BookScan ka treguar se Raporti i Muellerit është shitur më shumë se 40,000 herë vetëm në javën e parë, më shumë se secili libër tjetër.

Libri, i edituar nga Scribner dhe The Washington Post, pritet të jetë edhe në krye të listës së The New York Times, përfshirë kopjet fizike ashtu edhe versionin në internet.

Përveç kësaj, Audible.com ka bërë të ditur se edhe versioni audio i këtyre dokumenteve është renditur i dyti, në listën e librave më të dëgjuar, pas librit në versionin audio për jetën e Mbretëreshës, Elizabeta II.

Mueller është angazhuar në fillim të vitit 2017 për të udhëhequr hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, si dhe për të kuptuar nëse ndihmësit e Trumpit kanë bashkëpunuar me rusët.

Mueller ka përfunduar zyrtarisht hetimet dhe i ka dërguar raportin Departamentit amerikan të Drejtësisë më 22 mars.

Raporti i publikuar është version i redaktuar i versionit original, pasi disa elemente janë hequr nga Departamenti i Drejtësisë.

Në këtë raport, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka thënë se Mueller ka vërtetuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA dhe presidenti Trump ka synuar të pengojë hetimet, mirëpo nuk ka gjetur të dhëna të mjaftueshme se presidenti amerikan ka kryer krim.

Pas përfundimit të hetimit të prokurorit Mueller, beteja e zotit Trump vazhdon

Hetimi 22 mujor i prokurorit Mueller për bashkëpunim të mundshëm midis Moskës dhe fushatës së kandidatit Trump në zgjedhjet e vitit 2016 ka përfunduar. Por beteja vazhdon ndërsa administrata Trump përpiqet të bllokojë hetimet e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke injoruar thirrjet dhe kërkesat e ligjvënësve për informacione të tjera.

Pagesat e fshehta që thuhet se i janë bërë yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels; dhënia e statusit për informacione sekrete për dhëndërin e Presidentit Trump; dhe hetimi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Janë këto disa nga çështjet polemizuese që po hetohen nga demokratët e Kongresit.

Të dielën, kryetari i Komisionit për Drejtësinë në Dhomën e Përfaqësuesve Jerry Nadler kërcënoi se do të detyronte marrjen në pyetje të Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, nëse ai refuzon të dëshmojë këtë të enjte për raportin Mueller.

Administrata thotë se nuk pajtohet me formatin e marrjes në pyetje.

“Dhoma e Përfaqësuesve kërkon që stafi dhe të tjerë të intervistojnë Prokurorin e Përgjithshëm Barr. Me të vërtetë është fyese mënyra se si po sillen”, tha sekretarja e Shtypit, Sarah Sanders.

Demokratët kanë përdorur forcën e tyre ligjore për të kërkuar dëshmi nga disa zyrtarë, përfshirë ish-këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, i cili kërcënoi të japë dorëheqjen sesa të zbatonte urdhërin e zotit Trump për të shkarkuar prokurorin Mueller.

Presidenti Trump thotë se do të kundërshtojë të gjitha thirrjet për të dëshmuar me detyrim.

“Kam qenë presidenti më transparent në historinë e vendit tonë”

Megjithëse ka debat nëse disa dëshmi duhet të bëhen publike, shumica e ekspertëve konstitucionalistë thonë se presidenti nuk ka asnjë bazë ligjore për të refuzuar t’i përgjigjet Kongresit.

“Në fakt, ky refuzim në vetvete është arsye e mundshme për të filluar procedurat për shkarkimin e presidentit pasi atëherë ai do të shkelte klauzolën e Kushtetutës për të zbatuar ligjin, sipas të cilit ekzekutivi duhet të kujdeset që ligjet të ekzekutohen me besnikëri”, thotë Paul Schiff Berman, në Universitetin “George Washington”.

Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve janë kundër nisjes së një procedure për shkarkimin e presidentit. Pas publikimit të raportit Mueller, presidenti Trump ka kërcënuar se do t’i çojë demokratët në Gjykatën e Lartë nëse ata kërkojnë shkarkimin e tij.

Ky hap i mundshëm është vënë ligjërisht në pikëpyetje, por retorika mund të ketë efekte të caktuara politike.

“Shumë prej nesh nuk i lexojmë ato lloj dokumentesh çdo ditë dhe nuk kuptojmë llojet e argumenteve pra, standardet e dëshmive që janë në to. Pra, të përsëritësh një përfundim, duke e thjeshtuar se nuk ka patur bashkëpunim, ka qenë efektiv”, thotë Vanessa Beasley, e Universitetit Vanderbilt.

Ndërkohë, avokatët personalë të presidentit Trump kanë paditur Kryetarin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve demokratin Elijah Cummings, për lëshimin e një thirrjeje ligjore që kërkon të dhënat personale për financat e presidentit Trump.

Administrata po mohon gjithashtu kërkesat nga demokratët për të dorëzuar deklaratat tatimore të presidentit.

Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë Nga RAFAELA PRIFTI

 – Në Kongresin Amerikan-Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë/

Pranimi i Përgjegjësisë i hap rrugën Paqes e Pajtimit /

 Seanca e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme/

NGA WASHINGTONI Për Gazetën “Dielli”  Nga  RAFAELA PRIFTI

Uashington DC – Përfaqësues të Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Kongresit amerikan, drejtuar nga kongresisti Elliot Engel mbajtën seancë të posaçme ” Viktimat e luftës së Kosovës – Në kërkim të drejtësisë “. Folësit e ftuar në seancë ishin Shkëlqesia e saj, dhe zëdhënësja e viktimave të dhunës seksuale ushtruar gjatë luftës, z. Atifete Jahjaga, Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare nga American University Professor Dr. Paul Williams, Ilir Bytyqi nga familja Bytyqi dhe znj. Vasfije Krasniqi- Goodman. Në sallën e punimeve të Komisionit Parlamentar gjendeshin përfaqësues të trupit diplomatik të Republikës së Kosovës, Ambasadoresha Vlora Çitaku, dhe Konsullja e Përgjithshme Teuta Sahatqija, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut z  Mark Gjonaj, promotorë e figura me ndikim të komunitetit z. Harry Bajkrari, drejtues të shoqatave të cilat ishin në ballë të kësaj nisme si Shoqata e Grave Motrat Qiriazi, Marigona, dhe dhjetra Organizata të bashkëngjitura si Albanian Roots, Federata Vatra. Ish-kryetari i Vatres Dr. Gjon Buçaj, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi, anëtari i Bordit Ismer Mjeku, Mal Berisha, ishin të pranishëm. Transmetimi i seancës u përcoll nga rrjete eletronike, televizione të komunitetit si edhe platforma të tjera. (Lista më e plotë e shoqatave dhe mediave do të jetë në kronikën e ardhshme).

Pas dy dhjetëvjeçarëve, “viktimat e luftës së Kosovës kërkojnë drejtësi”, tha krytari i Komisionit Parlamentar Eliot Engel. Me statistikat e dokumentuara nga Humanitarian Law Center dhe Human Rights Watch, ai tha se instancat e instaluara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për zbatimin e drejtësisë kanë qenë inefektive. Dhe ç’është më keq e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e drejtësisë duke krijuar një ekuivalence fallco. Këtu qëndron rëndësia e seancës së sotme, përfundoi z. Engel, që këtej e tutje drejtësia e mohuar të kryhet pa kompromis.

Permbledhtazi Profesori Paul Williams analizoi arsyet pse tribunalet e ngritura  si edhe gjykatat speciale nuk kanë efektive sepse qenë ndërtuar mbi baza etnike dhe si të tilla të paafta për të ndëshkuar autorët e krimeve të regjimit serb të Milosheviçit. Ai e vuri theksin te bashkëpunimi midis administratës amerikane dhe kosovare për të adresuar çështjen e përgjegjësisë ndaj të gjitha krimeve të luftës në Kosovë përfshirë dhunimin seksual si pjesë e saj.

Bildergebnis für Vasfije Krasniqi- Goodman

Vasfije Krasniqi – Goodman

Ilir Bytyqi, i cili flet në emër të familjes dhe vëllezërve të tij, shtetas amerikanë të vrarë, tha se dëshmia e tij ka vetëm një mesazh: viktimat nuk mund të lihen në harresë!

Ai kërkoi nga Komisioni të miratojë rezolutën HR 32, si edhe ju bëri thirrje politikanëve serb të kthejnë kursin e deritanishëm.

Dëshmia e znj. Vasfije Krasniqi- Goodman e cila ka përjetuar dhunën seksuale gjatë kohës së luftës, ishte shprehje e ngadhënjillimit personal. Ajo tha se Kongresi Amerikan duhet të veprojë pa hezitim në emër të viktimave që kërkojnë drejtësi.

Kronika e plotë si edhe pyetjet e anëtarëve të kryesisë së Komisionit Parlamentar për panelin do të botohet në vijim.

 

Ish-nënpresidenti Biden me epërsi në anketa

Ish-nënpresidenti Joe Biden renditet në krye të listës së konkurrentëve demokratë për zgjedhjet presidenciale, siç rezulton nga një anketë e re e zhvilluar pas përfshirjes së tij në garë. Zoti Biden është hedhur menjëherë në kritika ndaj Presidentit Trump, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone:

Ish-nënpresidenti Joe Biden gjeti një pritje të ngrohtë në tubimin e tij të parë për fushatë të hënën në Pitsburg. Ai e bëri krejt të qartë se do të përqëndrohet tek ato që i quan politika përçarëse të Presidentit Trump:

“Duhet t’ua bëjmë të qartë se kush jemi. Ne demokratët dhe të pavarurit që kemi të njëjtat pikëpamje, duhet të zgjedhim shpresën në vend të frikës, bashkimin në vend të përçarjes dhe ndoshta, ajo që është edhe më e rëndësishme, të zgjedhim të vërtetën mbi gënjeshtrën”.

Përkrahësit e zotit Biden kishin dalë që herët për të marrë pjesë në tubim:

“Mendoj se Joe Biden është një politikan me eksperiencë dhe se është njeri i mirë dhe i ndershëm. Këto kanë më shumë rëndësi për mua,” thotë një përkrahëse e zotit Biden.

Edhe Presidenti Trump ka dalë në fushatë këto ditë. Në një tubim në Uashington, ai u hodh në sulm ndaj Partisë Demokrate:

“Tani demokratët janë bërë partia e taksave të larta, krimit në nivele të larta, kufijve të hapur, abortit në muaj të avancuar, trillimeve dhe fantazive. Partia Republikane është partia e të gjithë amerikanëve. Vërtetë ashtu. Dhe partia e mendimit logjik”.

Presidenti Trump e ka sulmuar zotin Biden përmes Twitterit, duke vënë në dukje moshën e avancuar, megjithëse të dy ata janë në të 70-tat.

“Unë jam i ri, energjik. Shoh Joe-n. Nuk di ç’të them për të,” thotë presidenti.

Zoti Biden aktualisht kryeson në grupin e njëzet pretendentëve demokratë, pasuar nga Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders.

Zoti Sanders është një ndër pretendentët demokratë që flasin për nevojën për ndryshime rrënjësore:

“Nuk kemi për detyrë vetëm të fitojmë garën për Shtëpinë e Bardhë, por të transformojmë ekonominë dhe qeverinë e këtij vendi,” tha zoti Sanders.

Deri tani, rivalët demokratë nuk duket se ia kanë frikën zotit Biden, megjithëse ai kryeson në garë, thotë analisti Matt Dallek

“Është një grup shumë i madh konkurrentësh. Është ende herët që të presim nga anketat të parashikojnë çfarë nënkupton epërsia e zotit Biden, përveç faktit se atë e njohin njerëzit dhe ka prej tyre që kanë kujtime të mira”.

Demokratët kanë alternativa të ndryshme në këtë grup konkurrentësh, përfshirë gra dhe pakica. Por ata duan një kandidat të fortë që do të jetë në gjendje të mundë Presidentin Trump në zgjedhje, thotë eksperti Bill Sweeney:

“Kemi grupin më të larmishëm të pretendentëve që ka pasur ndonjëherë ky vend. Pra zgjedhësit demokratë kanë plot alternativa. Një tjetër pyetje që do t’i bëjnë vetes zgjedhësit demokratë kur të bëhen votimet brenda partisë do të jetë: Kush është ai që është në gjendje të mundë Donald Trumpin?”

Deri tani, shumë votues demokratë që e bëjnë këtë pyetje duket se preferojnë zotin Biden. Sipas analistëve, kjo është arsyeja që i ka dhënë atij epërsi në anketa.

Pompeo: SHBA, të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat në Venezuelë

ekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat e tanishme në Venezuelë.

“Një veprim ushtarak është i mundur”, tha diplomati më i lartë i SHBA për rrjetin televiziv Fox Business. “Nëse kjo do të kërkohet, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë,” tha ai.

Megjithatë, ai përsëriti se SHBA do të preferonin një kalim paqësor të pushtetit në Karakas, nga presidenti socialist Nikolas Maduro tek presidenti i përkohshëm i vetëshpallur, Juan Guaido, kryetar i Asamblesë Kombëtare i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si udhëheqës legjitim i vendit.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tha ndërkaq për rrjetet CNN dhe Fox News se zoti Pompeo do të fliste të mërkurën me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov rreth mbështetjes së Moskës për Maduron në vështirësi.

Zoti Pompeo u tha intervistuesve se Maduro, përballë protestave të rrugës kundër regjimit të tij, ishte gati të largohej nga Venezuela për në Kubë të martën, por Rusia e bindi të qëndronte për të kundërshtuar thirrjen e zotit Guaido drejtuar ushtrisë për të përmbysur Maduron.

Vetë Maduro dhe ministria e jashtme ruse mohuan zërat për largimin e Maduros. Moska tha se kërkesa e SHBA ishte pjesë e “luftës së saj informative” për të demoralizuar ushtrinë venezueliane dhe për të nxitur një grusht shteti.

Zoti Guaido bëri thirrje për protesta masive në rrugë më 1 maj kundër qeverisë së Maduro, që sipas tij do të ishin “më të mëdhatë në historinë e Venezuelës”. Të martën, protestuesit që hidhnin shishe me benzinë, u përleshën me trupat qeveritare, ndërkohë që autoritetet përdorën municion të vërtetë, makinat e ujit dhe plumba gome kundër demonstruesve, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetëra.

Pamjet televizive tregonin një automjet të Gardës Kombëtare të Venezuelës që shkelte mbi demonstruesit të cilët gjuanin me gurë kundër ushtarëve. Qeveria tha se një nga ushtarët e saj u godit nga një plumb.

Të mërkurën në mëngjes, në rrugë mund të shihje tymin e gazit lotsjellës, ndërsa policia e armatosur mirë mbante në duar mburoja për t’u përballur me protestuesit që hidhnin gurë në drejtim të saj.

Maduro tha se do të fliste në një tubim për 1 majin, duke pretenduar se përpjekja për grusht shteti e Guaido-së ishte mposhtur.

Ai përgëzoi forcat e armatosura që “mposhtën këtë grup të vogël i cili kishte për qëllim përhapjen e dhunës përmes betejave puçiste nëpër rrugë”.

“Kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar,” tha Maduro në një transmetim televiziv.

Ai tha se demonstruesit do të ndiqen penalisht “për krimet e rënda që janë kryer kundër kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe”.

Mijëra demonstrues janë bashkuar me protestat në rrugë pasi Guaido i mbështetur nga SHBA bëri thirrje që ushtria të refuzonte sundimin e Maduro-s dhe të kalonte në anën e tij në një fushatë që ai e quajti “Operacioni Liria”. Guaido u shfaq të martën së bashku me politikanin e opozitës Leopoldo Lopez, i cili ishte vënë nën arrest shtëpiak nga Maduro, por tha se ishte “i liruar” nga ushtarët që mbështesin zotin Guaido.

Në një zhvillim tjetër, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA lëshoi një urdhër të martën vonë, ku ndalonte të gjitha linjat ajrore amerikane të fluturonin në hapësirën ajrore të Venezuelës nën 7,000 metra deri në një njoftim të mëtejshëm, duke cituar si arsye “rritjen e paqëndrueshmërisë politike dhe të tensioneve”.

Ajo urdhëroi gjithashtu të gjithë operatorët ajrorë në Venezuelë, duke përfshirë avionët privatë, të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve.

Mueller i shkruan prokurorit Barr: Nuk e publikove thelbin e hetimit tim

Këshilltari i Posaçëm në SHBA, Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen e ruse në zgjedhjet amerikane, i ka dërguar një letër Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr në të cilën thotë se përmbledhja e raportit të tij që është bërë publike “nuk e përfshinë në mënyrë të plotë kontekstin, natyrën dhe thelbin” e konkluzioneve të hetimit.

Gazeta “Washington Post” thotë se e ka parë letrën të cilën Mueller i ka dërguar Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr.

Ndërkaq agjencia Asoshiated Press citon zëdhënësen e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec të ketë thënë se Mueller ka shprehur “frustrimin” ndaj prokurorit Barr për “mungesën e kontekstit” në përmbledhjen e raportit.

“Tani ekziston konfuzion në publik rreth aspekteve kritike të rezultateve të hetimit tonë”, citon letrën e Muellerit gazeta “Washington Post”.

Njoftimet vijnë para se Prokurori Barr të paraqitet para Komitetit për Drejtësi të Senatit më 1 maj.

Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller, pas hetimeve 2 vjeçare, më 22 mars i dorëzoi raportin Prokurorit të Përgjithshëm, William Barr.

Barr më pas e bëri publike një përmbledhje të raportit në të cilën tha se gjatë hetimeve nuk është gjetur ndonjë e dhënë se presidenti Trump apo fushata e tij kanë bashkëpunuar me përpjekjet ruse.

Disa ditë më vonë, Barr publikoi raportin e redaktuar për të cilin tha se hetimet e Muellerit kanë gjetur të dhëna se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

“Pas gati dy vjetëve të hetimit, mijëra thirrjeve të detyrueshme për intervistim, dhe intervistimeve të dëshmitarëve, këshilltari special ka konfirmuar se Qeveria ruse ka sponsoruar përpjekjet për të ndëryrë ilegalisht në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, mirëpo nuk ka gjetur se fushata e Trumpit apo amerikanë tjerë kanë qenë pjesë e tyre”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit demokratë u ankuan se Barr qëllimisht minimizoi çdo zbulim që do të konsiderohej i dëmshëm për presidentin Trump.

Komiteti për Drejtësi i Dhomës së Përfaqësuesve që kontrollohet nga demokratët ka lëshuar një thirrje për të marrë raportin e plotë të Muellerit, duke thënë se një version i redaktuar “lë shumicën e Kongresit në errësirë”.

SHBA, dëshmi në Kongres për viktimat e luftës në Kosovë

Në Uashington, Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan po zhvillon një seancë dëgjimore me temë: “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë.”

Seanca kryesohet nga kryetari i Komisionit, Eliot Engel dhe folës kryesorë janë:

-Ilir Bytyqi, i cili dëshmon për tre vëllezërit e vrarë nga forcat serbe

-Atifete Jahjaga, ish Presidente e Kosovës

-Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës

-Dr. Paul Williams, Universiteti Amerikan, Uashington

Ligjvënësi Eliot Engel që hapi seancën tha se sot, pas 20 vjetësh, për viktimat e luftës në Kosovë ka patur shumë pak në mos aspak drejtësi. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë duhet të kishin ushtruar më shumë trysni, por përgjithësisht dështuan.

Është hera e parë që në Kongresin amerikan zhvillohet një dëshmi me pjesmarrje të gjerë për të kërkuar drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë, me theks të veçantë te viktimat e përdhunimeve.

Zoti Engel, i cili prej vitesh ka këmbëngulur në ndjekjen ligjore të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë kritikoi gjithashtu përpjekjet për të krijuar një ekuivalencë të rreme mes autorëve të krimeve dhe viktimave. Askush nuk thotë se nuk ka patur shkelje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tha ai, por pjesa dërrmuese e krimeve janë kryer nga forcat serbe.

Ai tha se ligji për gjykatën speciale i lejon prokurorët të ngrejnë akuza ndaj cilitdo që ka kryer krime lufte në Kosovë, por deri tani, duket se kjo gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët. Zoti Engel kërkoi që kësaj çështjeje t’i kushtohet vemendje. Komisioni për Punët e Jashtme, tha ai, do ta vëzhgojë nga afër gjykatën speciale, për të garantuar se ajo do të hetojë autorët e të gjitha krimeve.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se duke folur në seancë ajo mban barrën e qindra mijëra jetëve që janë shkatërruar nga lufta në Kosovë. “Ata duan që historitë e tyre të dëgjohen dhe të kërkojnë drejtësi për krimet e kryera kundër tyre,” tha ajo.

Atifete Jahjaga

“Nuk është një barrë e lehtë. Ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë rast për të ndarë pjesë të historisë sonë të dhimbshme dhe për të kërkuar mbështetje në kërkimin tonë të vazhdueshëm për drejtësi. Më konkretisht, kjo seancë dëgjimore sot na ofron një mundësi për të ndarë me ligjvënësit e SHBA dhe audiencën globale se si drejtësia dështoi të mbronte viktimat e luftës së Kosovës dhe çfarë masash duhen ndërmarrë për të ardhmen,” tha zonja Jahjaga.

Dr. Paul Williams, i Universitetit Amerikan në Uashington, tha se Gjykata e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ngriti akuza vetëm ndaj shtatë pjesëtarëve të regjimit serb për krime të kryera në Kosovë.

Dr. Paul Williams

“Çuditërisht, – tha ai, – asnjë nga këto shtatë aktakuza nuk përfshinte një akt të qartë të përdhunimit si krim kundër njerëzimit.”

Ilir Bytyqi, vëlla i Ylli, Agron, and Mehmet Bytyqit, të vrarë nga forcat serbe në mbarim të luftës në Kosovë, tha në dëshminë e tij: “Jam këtu për t’ju ofruar juve dhe botës një mesazh të thjeshtë. Viktimat nuk mund të injorohen. Nëse doni të keni një paqe të qëndrueshme në Ballkan, ne nuk mund të shpërfillemi. Nëse dëshironi që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje që të ketë mbështetje të gjerë dhe të thellë, ne nuk mund të shpërfillemi. Nëse doni që udhëheqësit të mos kundërvënë njërin grup kundër tjetrit, ne nuk mund të shpërfillemi.”

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, tregoi me tone emocionale hollësitë e dhimbshme të dhunimit të saj në duart e forcave serbe kur ishte 16 vjeç. Ajo tha se edhe pse sot jeton në Teksas me dy fëmijët e saj, ajo nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia. Kongresmeni Engel tha se nuk ka qenë e lehtë për zonjën Vasfije Krasniqi-Goodman të dilte në publik me historinë e saj të dhimbshme.

Zoti Engel ftoi pastaj zonjën Jahjaga që të jepte hollësi mbi përpjekjet për të zbuluar përpara botës krimet seksuale të kryera ndaj grave dhe vajzave në Kosovë dhe për të ndihmuar ligjvënësit të kuptojnë më mirë përmasat e asaj që ndodhi në Kosovë.

“Gjatë Luftës në Kosovë, – tha zonja Jahjaga, – përdhunimi u përdor si armë lufte. Ashtu si në shumë konflikte të tjera ku përdhunimi përdoret si mjet lufte, të mbijetuarit përballen me stigmën për një krim të padrejtë të kryer kundër tyre. Përdhunimi u përdor për të shkatërruar strukturën sociale të komuniteteve tona.”

“Duke dhunuar brutalisht trupat e grave, – tha zonja Jahjaga, – ushtria serbe, policia dhe forcat paramilitare sulmonin burrat që nuk mund t’i vrisnin dhe torturonin dot drejtpërsëdrejti. Përmes përdhunimit, ata synonin të përulnin burra shqiptarë të Kosovës për t’i paraqitur si të dobët dhe të paaftë për të “mbrojtur” gratë e tyre.

“Në të shumtën e rasteve, tha zonja Jahjaga, gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale arritën të mbijetojnë, megjithëse ishin plagosur shumë fizikisht dhe psikologjikisht. Atyre iu tha se po lejoheshin të jetonin në mënyrë që të mbanin mend se kush ua bëri këtë. Shumica e grave dhe vajzave të mbijetuara iu lutën përdhunuesve të tyre që t’i vrisnin ato, pas asaj që u ndodhi.”

Zonja Jahjaga bëri thirrje që SHBA të ndihmojnë në mënyrë që të gjithë ata që kanë kryer krime të tilla lufte të nxirren përpara drejtësisë dhe të mbahen përgjegjës.

Dorëhiqet zëvëndësprokurori i përgjithshëm i SHBA-së

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm në SHBA, Rod Rosenstein ka dhënë dorëheqje, e cila do të hyjë në fuqi më 11 maj. Rosenstein e ka paraqitur dorëheqjen e tij tek Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më 28 prill.

Rosenstein emëroi Këshilltarin Special, Robert Mueller për të hetuar ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në 2016 dhe lidhjet midis agjentëve rusë dhe fushatës së Trumpit, pasi prokurori i atëhershëm, Jeff Sessions, u tërhoq nga detyra.

Ishte pritur që Rosenstein të japë dorëheqjen në mars, por ai qëndroi në detyrë deri në përfundimin e hetimit të Muellerit dhe dorëzimin e raportit të tij përfundimtar i cili u bë publik në formë të redaktuar.
Në letrën e tij të dorëheqjes, Rosenstein shkroi se ai “gjithmonë e ka vendosur Amerikën në rradhë të parë” si dhe ka ndihmuar stafin e Departamentit të Drejtësisë me njerëz “të përkushtuar ndaj vlerave që e bëjnë Amerikën të madhe”.

Trumpi dhe Erdogani zhvillojnë bisedë telefonike

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, gjatë një bisede telefonike diskutuan propozimin turk që përmes një grupi punues të përbashkët të adresojnë mosmarrëveshjet rreth planeve të Ankarasë për blerjen e një sistemi mbrojtës raketor rus S-400, njoftoi presidenca turke.

“Presidenti ngriti propozimin për krijimin e një grupi pune lidhur me sistemin e mbrojtjes S-400”, thuhet në njoftim.

Të dyja vendet kanë kundërshtuar njëra tjetrën për muaj me rradhë lidhur me mundësite e pajisjes së ushtrisë turke me sistemin rus.

Shtetet e Bashkuara thonë se ky sistem nuk është në përputhje me rrjetin e mbrojtjes të NATO-s dhe mund të komprometojnë avionët e saj F-35.

Ankaraja ka thënë se një grup pune mund të vlerësojë ndikimin e sistemit rus S-400 në avionët luftarakë. Sekretari i Shtetit i SHBA.-së, Mike Pompeo dhe disa senatorë të SHBA kanë paralajmëruar Turqinë se do të ndëshkohet për blerjen e S-400-s, sipas një ligji që kërkon sanksione kundër vendeve që marrin pajisje ushtarake nga Rusia.

Turqia ka thënë se si një anëtare e NATO-s, ajo nuk përbën kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe sanksionet nuk duhet të zbatohen ndaj saj.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi të hënën se Trump dhe Erdogan kishin diskutuar blerjen e planifikuar të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 nga ana e Turqisë.

Trump dhe Erdogan gjithashtu diskutuan për tregtinë mes dy vendeve dhe krizën në Siri, tha Shtëpia e Bardhë.

Polemikat rreth komenteve të ligjvënëses Ilhan Omar

Sulmi me armë ndaj sinagogës në Kaliforni rindezi debatin rreth komenteve të Ligjvënëses Ilhan Omar për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe marrëdhënies së ligjvënësve amerikanë me lobistët e Izraelit.

Senatori Ted Cruz dhe komentatorja konservatore Meghan McCain sugjeruan të dielën se komentet më të fundit të zonjës Omar janë pjesë e një anti-semitizmi në rritje në politikën e majtë dhe se të gjitha palët e spektrit politik amerikan kanë kontribuar për një dialog ekstremist që ka si objektiv hebrenjtë.

Zonja Omar, ligjvënësja e parë somalezo-amerikane në Kongresin amerikan, i kundërshtoi këto pretendime, duke shkruajtur të dielën në Twitter se “islamofobia dhe anti-semitizmi janë dy anë të së njëjtës monedhë. Le të qëndrojmë të bashkuar si amerikanë për të refuzuar urrejtjen”.

Në një intervistë të dhënë ditën e premte shërbimit në gjuhën somaleze të Zërit të Amerikës, Ligjvënësja Omar tha se kritikat për komentet e saj të sinqerta ishin “produkt i urrejtjes dhe injorancës, përgjithësisht të nxitur nga Presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij të së djathtës së largët”.

Polemika ekziston vetëm sepse presidenti i SHBA-së dhe mbështetësit e tij nuk janë të kënaqur me faktin që një grua myslimane dhe refugjate që i përket minoriteteve ka të drejtën të thotë mendimin e saj për veprimet e gabuara dhe shkeljet e udhëheqjes”, u shpreh ligjvënësja demokrate nga shteti Minnesotta.

Kemi një president që beson se ne nuk jemi këtu, që na ka sulmuar neve – amerikanët e minoriteteve dhe njerëzit me ngjyrë. Tashmë që kemi një mundësi dhe një platformë nga ku të flasim, ai dëshiron të heshtë zërat tanë legjitimë”, shtoi zonja Omar, e cila është një nga dy gratë myslimane të zgjedhura nga Kongresin amerikan. “Mendoj se gjendem në një betejë legjitime dhe shpresoj se do të triumfoj”, shtoi ajo.

Rabini Yisroel Goldstein përshkruan skenën e sulmit në San Diego

Rabini Yisroel Goldstein, i cili është plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një sinagogë në San Diego të shtunën, ka përshkruar momentin kur është përballur me sulmuesin.

Goldstein ka thënë se ka ngritur dorën lart kur ka parë “terroristin vrasës”. Ai ka thënë se ka humbur njërin nga gishtërinjtë si pasojë e sulmit.

“Unë vetëm kam vrapuar, ndonëse kam vërejtur se gishti im nuk është më dhe kam mbledhur fëmijët për t’i larguar jashtë”, ka shtuar ai.

Lori Kaye, e cila ka ndihmuar në themelimin e sinagogës bashkë me rabinin, Goldstein, ka vdekur gjatë incidentit.

“Të gjithë në komunitet e kanë njohur atë. Jam shumë zemërthyer dhe i mërzitur nga kjo vrasje e pakuptimtë”, është shprehur Goldstein.

Përveç tyre, është raportuar se edhe dy persona tjerë janë plagosur në këtë sulm.

Një 19-vjeçar, i identifikuar si John Earnest është arrestuar pak pasi ka ndodhur incidenti në Pouej, në veri të San Diegos.

Ky sulm ka ndodhur gjashtë muaj pas sulmit në Pitsburg, në të cilin 11 persona ishin vrarë, në atë që është cilësuar si sulmi më i keq anti-semitik në historinë amerikane.

Pas sulmit në Pitsburg, anëtarët e komunitetit hebre kishin ngritur pikëpyetje nëse ka përfunduar epoka kur Shtetet e Bashkuara kanë qenë parajsë për hebrenjtë.


Send this to a friend