VOAL

VOAL

Shefi i FBI-së: Rusët janë të vendosur të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray

Rusia është e vendosur të ndërhyjë në zgjedhjet e SHBA-së, pavarësisht sanksioneve dhe përpjekjeve të tjera për të penguar Moskën, tha të martën, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray.

“Absolutisht, rusët përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet tona”, tha Wray, gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Gjyqësi të Senatit.

Wray dëshmoi në një seancë mbikëqyrëse, një ditë para se Robert Mueller, ish-këshilltar special, të dëshmojë publikisht përpara Kongresit për hetimin e tij dy-vjeçar të ndërhyrjes së Rusisë për të ndikuar në garën presidenciale të 2016-s.

“Gjithçka që kemi bërë kundër Rusisë, a nuk e ka penguar atë mjaftueshëm?”, pyeti senatori, Lindsey Graham, kryetar i Komitetit të Senatit.

“Pikëpamja ime është se derisa ata të ndalen, nuk janë penguar mjaftueshëm”, tha shefi i FBI, Christopher Wray. rel

Pritshmëri e lartë për dëshminë e Prokurorit të Posaçëm Mueller në Kongres

Jim Malone

Ish-prokurori i posaçëm, Robert Mueller që kryesoi hetimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, pritet të dëshmojë javën që vjen (të mërkurën më 24 korrik) para dy komisioneve të Kongresit në seanca që mund të marrin nota dramatike dhe që do të transmetohen drejtpërdrejt në televizion.

Robert Mueller do të dëshmojë përpara dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me raportin e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016, dhe gjasta për bashkëpunim dhe pengimi të drejtësisë, që implikojnë Presidentin Donald Trump dhe Shtëpinë e Bardhë.

Në maj, zoti Mueller u tha gazetarëve të mos presin shumë përtej asaj që përmban raporti.

“Raporti është dëshmia ime. Nuk do të jepja para Kongresit informacion tjetër përveç asaj që është bërë tashmë publike”, tha ai.

Zoti Mueller arriti në përfundimin se nuk kishte të prova të mjaftueshme për konspiracion të dënueshëm apo koordinim mes Rusisë dhe fushatës së Presidentit Trump për të ndikuar tek zgjedhjet.

Por zoti Mueller ka gjasa të përballet me pyetje të shumta nga demokratët lidhur me vendimin e tij për të mos dhënë gjykim nëse Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte drejtësinë në lidhje me hetimin për Rusinë.

“Nëse do të kishim pasur bindjen që presidenti qartësisht nuk kishte kryer krim, do ta kishim thënë. Por nga ana tjetër, nuk nuk arritëm dot në përfundimin se presidenti nuk kishte kryer krim. Në bazë të politikave të Departamentit (të Drejtësisë), ndaj një presidenti nuk mund të ngrihet akuzë për krim federal gjatë kohës që është në detyrë”, tha ai.

Presidenti Trump ka komentuar shpesh në Twitter lidhur me raportin dhe shprehja e tij “jo konspiracion, jo pengim”, ka qenë e vazhdimisht e pranishme në tubimet e tij politike.

“Për dy vite e gjysëm, kemi qenë nën mbikqyrje dhe me raportin Mueller, fituam! Dhe tani duan t’ia fillojnë nga e para. Nuk doli siç dëshironin herën e parë dhe tani duan ta bëjnë prapë”, u shpreh ai në një rast.

Demokratët, përfshirë kryetarin e Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler thonë se synojnë ta pyesin me këmbëngulje zotin Mueller.

“Presidenti vazhdimisht u shpreh ‘jo konspiracion, jo pengim’, që në fakt nuk ishte përfudnimi i raportit. Prandaj mendoj se është shumë e rëndësishme që populli amerikan t’i dëgjojë nga zoti Mueller përfundimet e tij dhe se cilat ishin rezultatet e hetimin dyvjeçar”, tha ai.

Ecuria e dëshmisë së zotit Mueller, mund të përcaktojë nëse demokratët e Kongresit do të këmbëngulin për një hetim për procesin e shkarkimit të Presidentitm, thotë analistja Andra Gillespie.

“Presidenti Trump nuk pati pasoja nga hetimi i zotit Muellur por nuk është ende e qartë nëse demokratët do të ndërmarrin procedurën e përpjekjes për shkarkim dhe nëse mund të gjejnë prova shtesë që mund të ndryshojnë mendimet e njerëzve”.

Raporti i zotit Mueller, është bërë një temë e njohur mes kritikëve të presidentit dhe përkrahësve të tij. Aktorë të Hollivudit, kohët e fundit organizuar një recitim dramatik të raportit në një shfaqje në Nju Jork me aktorin John Lithgow në rolin e zotit Trump.

“Por presidenti iu kthye temës së postit të (ish-drejtorit të FBI-së) James Comey, në fund të darkës duke thënë: ‘Unë dua bensikëri’”, recitoi ai duke iu referuar shkëmbimit mes Presidentit dhe zotit Comey.

“Nga unë do të keni gjithomonë ndershmëri”, tha Justin Long në rolin e zotit Comey.

Dëshmia publike e zotit Mueller para dy komisioneve të Kongresit, pritet të zgjasë disa orë.

SHBA, ashpërsohet më tej polemika mes Presidentit dhe ligjvënëseve demokrate

President Donald Trump këmbënguli të dielën se katër ligjvënëset demokrate që u përkasin pakicave, me të cilat ai është konfliktuar kohët e fundit, nuk janë “të afta për ta dashur vendin tonë”.

“Ato duhet t’i kërkojnë falje Amerikës (dhe Izraelit) për gjërat e tmerrshme që kanë thënë,” shkruante Presidenti Trump në Twitter. “Ato po e shkatërrojnë Partinë Demokrate, por janë qenia të dobëta dhe të pasigurta, të cilat nuk mund ta shkatërrojnë kurrë kombin tonë të madh!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1152912995938443269

Prej disa ditësh, zoti Trump ka sulmuar kongresmenet Ilhan Omar të Minesotës, Alexandria Ocasio-Cortez të Nju Jorkut, Ayana Pressley nga Massachusetts dhe Rashida Tlaib nga Miçigani, fillimisht duke u thënë atyre se duhet të “kthehen” në vendet e tyre dhe “t’i rregullojnë gjërat”, para se t’u tregojnë Shteteve të Bashkuara se çfarë duhet të bëjnë. Të gjitha ato janë qytetare amerikane, tre prej tyre të lindura në Amerikë dhe refugjatja somaleze Omar është shtetase e natyralizuar.

Demokratët dhe disa republikanë i kanë kritikuar ashpër komentet e zotit Trump dhe Dhoma e Përfaqësuesve i ka dënuar ato si “raciste”, por udhëheqësi amerikan ka vazhduar t’i sulmojë katër ligjvënëset, të gjitha të sapozgjedhura në Kongres dhe që kanë filluar nga puna në janar.

Nga ana e tyre, ligjvënëset e kanë sulmuar presidentin Trump. Zonja Omar ka thënë: “Unë besoj se ai është fashist”.

Lufta verbale e vazhdueshme u pasqyrua në emisionet televizive të lajmeve të së dielës.

Mercedes Schlapp, një ndihmëse e fushatës së zotit Trump, e mbrojti presidentin, duke thënë në ABC News, se “Kam punuar me Presidentin Trump për dy vjet dhe ai nuk është racist. Ai është një njeri i dhembshur, politikat e të cilit janë të fokusuara tek komuniteti në pakicë”.

Këshilltari për emigracionin i Presidentit Trump, Stephen Miller, tha për televizionin Fox News se komentet kritike të zotit Trump për politikat amerikane gjatë fushatës së vitit 2016, ai i bëri nga dashuria për Amerikën.

Por ai shtoi se “ka një ndryshim të madh” midis kredos së zotit Trump për promovimin e idesë “Amerika e para” dhe ideologjisë së ligjvënëseve, “që e ul Amerikën”.

Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings, njëri nga disa prej kryetarëve të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve që hetonin Presidentin Trump dhe politikat e administratës së tij, i tha televizionit ABC se ai beson që zoti Trump është racist.

Zoti Cummings tha se katër ligjvënëset e vëna në shënjestër nga zoti Trump “e duan vendin e tyre” dhe duan t’i afrohen më pranë “bashkimit më të përsosur që kishin parasysh etërit tanë, themelues të kombit amerikan. Kur nuk pajtohesh me presidentin, papritur je një person i keq”, – tha ai.

Ligjvënësi Cummings përfundoi: “Besnikëria jonë nuk është ndaj presidentit. Besnikëria jonë është ndaj Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan”. za

50 vjetori i misionit Apollo 11 – Presidenti Trump pret astronautët në Shtëpinë e Bardhë

Sot mbushen 50 vjet nga dita kur astronautët e parë amerikanë zbritën në Hënë dhe hodhën hapat e parë në kontinentin deri atëherë të panjohur. Presidenti Trump priti dje në Shtëpinë e Bardhë astronautë të anijes së hapësirës Apollo 11, që realizoi misionin e parë në Hënë.

I rrethuar nga Buzz Aldrin, Mike Collins dhe nga familjarë të komandantit të misionit Neil Armstrong në Zyrën Ovale, Presidenti Trump u informua për planet e administratës së tij për të dërguar përsëri astronautë në Hënë dhe në Mars, si dhe mbi përparimet në realizimin e fluturimeve komerciale në hapësirë.

“Ne do ta sjellim sërish shkëlqimin e suksesit në programin e hapësirës”, – tha Presidenti Trump. Të pranishëm në takim ishin gjithashtu Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti Mike Pence dhe administratori i NASA-s Jim Bridenstine.

Buzz Aldrin i tha Presidentit se ndjehej i zhgënjyer që nuk janë shënuar përparime të mëdha në eksplorimin e hapësirës gjatë dekadës së fundit.

Astronautët Aldrin dhe Armstrong, i cili u nda nga jeta në vitin 2012, bënë histori kur u ulën në hënë 50 vjet më parë si sot, ndërsa astronauti tjetër Mike Collins qëndroi në modulën e komandimit në orbitë, sipër tyre.

Nënpresidenti Mike Pence shkon sot në Qendrën Hapësinore Kennedy në Cape Canaveral të Floridës, ku do të mbajë një fjalim për këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. za

DASH: Mirëpresim bashkëpunimin e Haradinajt me prokurorinë

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë të shkurtër për Zërin e Amerikës se ka mësuar që Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë respektimin nga ana e tij të thirrjes për t’u paraqitur para Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Dhomave të Posaçme për Kosovën”, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të japë ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.

Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tash i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.

Dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarrisë edhe më tej përpjekjet për ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. aa

Uashingtoni zhytet në përçarje politike mbi racën dhe ideologjinë

Kjo ishte një javë sfiduese për demokracinë amerikane. Presidenti Donald Trump po kritikohet për sulmet ndaj katër ligjvënëseve demokrate që i përkasin pakicave. Dhoma e Përfaqësuesve, kryesisht në linja partiake, votoi për të dënuar disa nga komentet e presidentit, që ajo i cilësoi si raciste. Në të njëjtën kohë, demokratët e opozitës mbeten të ndarë mbi çështjen e fillimit të procedurave për shkarkimin e Presidentit Trump apo përqëndrimin e energjisë në mposhtjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone, përplasja ka zhytur vendin në një debat të ashpër mbi racën, emigracionin dhe ideologjinë politike.

Para një turme entuziaste në Karolinën e Veriut, Presidenti Trump sulmoi përsëri katër ligjvënese demokrate, të gjitha gra me ngjyrë.

“Këta ideologë të krahut të majtë e shohin vendin tonë si një forcë të së keqes. Ato flasin keq për vendin tonë. Ato duan të shkatërrojnë Kushtetutën, të dobësojnë ushtrinë tonë dhe të eleminojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend i mrekullueshëm”.

Në një moment gjatë fjalimi të tij, Presidenti vuri në shënjestër ligjvënësen e Minesotës Ilhan Omar, duke nxitur thirrjet nga turma “kthejeni në vendin e saj”.

Paraqitja konfrontuese e Presidentit Trump ndodhi në të njëjtën ditë që Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër një nisme për të filluar procedurat e shkarkimit të tij.

Por më parë gjatë javës, Dhoma e Përfaqësuesve bëri një hap të pazakontë, duke votuar për të dënuar dhe cilësuar si raciste disa nga sulmet e Presidentit Trump ndaj katër ligjvënëseve demokrate.

Të gjithë demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve mbështetën rezolutën, përfshirë aktivistin e të drejtat civile John Lewis nga Xhorxhia.

“Unë e di se çka është racizmi dhe mund ta ndjejë atë. Në nivelin më të lartë të qeverisë, nuk ka vend për racizëm”.

Fitorja e Presidentit Trump në vitin 2016 u ndihmua nga mbështetja e fortë e votuesve të bardhë të shtresës punëtore.

Por shumë demokratë, përfshirë ligjvënësin Tom Malinowski besojnë se Presidenti është duke bërë një ofertë të rrezikshme për mbështetje bazuar në pakënaqësinë racore.

“Këto nuk janë vetëm fjalë. Ato janë njësojë sikur t’i hedhësh zjarrit benzinë, dhe që mund të acarojnë mendjet e trazuara të njerëzve.”

Presidenti Trump ka mohuar akuzat se është racist, por ka sulmuar katër ligjvënëse, duke i quajtur ato socialiste dhe u ka thënë atyre të largohen nga vendi nëse nuk janë të kënaqura.

Disa republikanë i kanë kritikuar sulmet, por shumë të tjerë duke përfshirë Senatorin John Kennedy, e mbështesin Presidentin.

“Ky vend nuk është si Kina ose si Koreja e Veriut. Kjo është Amerika dhe nëse ju urreni vendin tonë, ju jeni të lirë të largoheni kur të doni”.

Fokusi i Presidentit tek tensionet racore dhe ideologjike po e gris strukturën e vendit, paralajmëron ligjvënësi demokrat Dean Phillips.

“Nëse racizmi bëhet një çështje partiake në këtë vend, ky do të ishte një abuzim ndaj themeluesve të vendit tonë, Kushtetutës sonë dhe çdo personi që e quan Amerikën shtëpi të tyre”.

Fitorja e ngushtë e Presidentit Trump në vitin 2016 dhe mbështetja relativisht e ulët për punën e tij ia vështirëson atij përpjekjet për t’u rizgjedhur, thotë analisti Kyle Kondik.

“Nëse mbështetja për punën e tij është nën 45 për qind, atëherë ai do të ketë nevojë për votat e një pjese të konsiderueshme të njerëzve që nuk e mbështesin atë dhe në këtë pikë gjërat do të jenë tepër të vështira për të.”

Retorika tensionuese e kësaj jave mund të shërbejë si një hap paraprak i një fushate të acaruar dhe të paqëndrueshme presidenciale vitin e ardhshëm.

Këshilltari Bolton pret Daçiqin: Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizë përpara. Ai ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përmes një postimi në Twitter, Bolton ka thënë se “është koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”.

“Ishte kënaqësi të pres ministrin Daçiq. U pajtuam se dialogu me Kosovës duhet të lëvizë përpara, pasi asnjëra palë nuk fiton nga status-quoja. Koha për të vepruar të dyja palët është tani”, ka shkruar Bolton.

It was a pleasure to host FM Dacic of Serbia today. We agreed that the Dialogue with Kosovo needs to move forward as neither side benefits from the status quo. The time for both sides to act is now. pic.twitter.com/GIrWhAEDsO
— John Bolton (@AmbJohnBolton) July 18, 2019

Ndërkohë, në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ministri i Jashtëm, Daçiq ka thënë se “administrata amerikane e kupton se problemi nuk është në Beograd, por problemi qëndron në Kosovë, në autoritetet e Prishtinës”.

Ai duke folur për takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, tha se “gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe paqësore për problemin e Kosovës mbetet lartë në listën e prioriteteve të politikës së jashtme të administratës së presidentin amerikan Donald Trump”.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që lehtësohet nga Bashkimi Evropian është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, pasi Qeveria në Prishtinë vendosi tarifa ndaj mallrave serbe.

Autoritetet serbe kërkojnë heqjen e tarifës, në mënyrë që të kthehen në tryezën e bisedimeve, por Qeveria e Kosovës thotë se pa një kornizë marrëveshje që parasheh njohjen nga ana e Serbisë, nuk do ta shfuqizojnë tarifën.

Kongres, votim nëse do të nisë procedura për shkarkimin e presidentit Trump

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të mërkurën nëse do të nisë menjëherë procedurën për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Ky është një propozim që ka gjasa të dështojë, por votimi pritet të tregojë se ku qëndron kjo dhomë e kontrolluar nga demokratët në raport me përpjekjet për të nisur procesin e largimit të presidentit republikan nga detyra.

Votimi është nxitur nga ligjvënësi Al Green, një demokrat nga shteti jugperëndimor i Teksasit, kundër dëshirës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi. Në ndryshim ajo dhe udhëheqës të tjerë demokratë kanë mbështetur hetimet e shumta të legjislativit, rreth lidhjeve të dyshuara të fushatës së zotit Trump me Rusinë, financave e taksave të tij si edhe nëse zoti Trump, në detyrën e presidentit ka penguar drejtësinë, duke u përpjekur të pengojë hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller.

Zoti Green ka përdorur edhe më parë rregullën e Dhomës së Përfaqësuesve për të detyruar kryerjen e dy votimeve mbi këtë çështje, në dhjetor 2017 dhe një tjetër një muaj më vonë. Aso kohe kjo dhomë kontrollohej nga republikanët, të cilët me shumicë dërrmuese votuan kundër përpjekjeve të tij.

Zonja Pelosi e ka bllokuar fillimin e një procesi për shkarkimin e Presidentit, duke favorizuar proceset hetimore që po zhvillohen në Kongres. Ajo ka shprehur frikën e pasojave politike që mund të sjellë për demokratët një përpjekje e tillë, në një kohë kur edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve do të votonte pro, Senati i kontrolluar nga republikanët ka shumë pak gjasa të ndëshkojë zotin Trump për shkelje.

Të njëjtën gjë zonja Pelosi la të kuptohet edhe të mërkurën, kur tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të vendosë me votë rreth çështjes së rezolutës së zotit Green. Por ajo kujtoi se në Kongres janë gjashtë komisione që po punojnë për të gjetur fakte lidhur me çdo abuzim të mundshëm me pushtetin, pengim të drejtësisë apo gjithçka tjetër ku mund të jetë përfshirë presidenti. za

Reeker: SHBA nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë – Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri

Philip Reeker

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Philip Reeker tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbiter i politikave të brendshme të Shqipërisë.

Ambasadori Reeker, zyrtar me përvojë në çështjet e Ballkanit, i bëri komentet të mërkurën në një forum të organizuar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington.

Ai tha se Shqipëria vazhdon të jetë një ndër aleatet më të forta të Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore.

“Por ne nuk jemi krenarë me gjendjen aktuale politike në Shqipëri,” tha zoti Reeker.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës, zoti Reeker tha se rruga institucionale është mënyra e vetme për tejkalimin e krizës së tanishme.

“Nuk jemi krenarë me shqiptarët këto javët e fundit, sepse ata nuk përdorën institucionet që kanë. Nuk mundet që thjesht të bojkotosh parlamentin ose të dorëzosh mandatet. Ato institucione duhen përdorur, duhen përdorur gjykatat, duhet të emërohen anëtarët e gjykatës kushtetuese, që përmes Kushtetutës dhe përdorimit të këtyre mjeteve të tejkalohen kohët e vështira politike. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëhen arbitër i politikave të brendshme të Shqipërisë, por ne do të vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha palët të punojnë së bashku me institucionet dhe të bëjnë hapat e duhur që të ecin përpara. Dhe nëse institucionet nuk bëjnë punë, atëherë puno që t’i ndryshosh ato, nëpërmjet parimeve kushtetutese që keni”, tha zoti Reeker. za

“Qyteti i Raketave” feston 50 vjetorin e Programit Apollo

Në garën për të zbritur në Hënë në vitet 1960, zhvillimi i raketave të mëdha që mund të nxirrnin një anije të hapësirës jashtë atmosferës së Tokës morën rëndësi kritike për suksesin e programit Apollo. “Qyteti i Raketave” siç njihet qyteti Hantsvill në Alabama ishte vendlindja e raketës Saturn V. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, 50-vjetori i misionit për të dërguar njeriun në Hënë ka rikthyer në vëmendje rolin historik që ka luajtur ky qytet në programin Apollo:

Në 50 vjetorin e lëshimit të raketës që dërgoi në hapësirë anijen me astronautë që do të zbrisnin në Hënë, “Qyteti i Raketave” po përpiqet të thyejë një rekord të ri:

“Po hedhim 5000 raketa në miniaturë për të thyer rekordin botëror Guiness,” thotë Randall Robinson, Drejtor i trajnimeve në Kampin Hapsinor.

Randall Robinson është drejtor i trajnimeve në Kampin Hapsinor, një program intensiv përgatitor mbi shkencën dhe hapësirën për të rinjtë. Shumë prej tyre po ndjekin hedhjen e raketave në mjediset e kampit veror që ndodhet në kampusin e Qendrës Amerikane për Hapësirën dhe Raketat.

“Synimi që i kemi vënë vetes për të thyer këtë rekord është domethënës, pasi po tërheq përsëri vëmendjen tek Huntsvilli për rëndësinë që ka pasur në programin Apollo,” thotë zoti Robinson.

Në vitet 1950- 1960, shkencëtari Wernher von Braun drejtoi në Hantsvill Qendrën e NASA-s për Fluturime Hapsinore, duke çuar në zhvillimin e raketës Saturn V. Vajza e shkencëtarit thotë se babai i saj së bashku me ekipin e tij nuk kishin kurrë dyshim në suksesin e përpjekjeve të tyre dhe rëndësinë e programit Apollo.

Margrit Von Braun, Vajza e shkencëtarit Wernhern von Braun
“E dinim se do të kishte sukses. U rritëm me bindjen se do të arrinim synimin, kështu vepronte i gjithë ekipi shkencor”.

Margrit Von Braun ishte ndër të ftuarit që u mblodhën në Hantsvill për të festuar 50 vjetorin e programit Apollo, duke nderuar ata mijëra vetë që kontribuuan për ta bërë realitet zbritjen e njeriut në Hënë.

Zonja Von Braun e pa me sytë e saj momentin e hedhjes në hapësirë e anijes që do të dërgonte njeriun në Hënë në 1969. Ajo kujton momentin kur e kishte ndjekur lëshimin e raketës së bashku me të atin që njihet si “Babai i Shkencave Raketore”.

“Ishte hera e parë që shihja nisjen e një mjeti hapsinor. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Kështu thonë edhe shumë të tjerë. Zhurma, fuqia e motorrit, lëvizja e ngadaltë e raketës kur po shkëputej nga kulla mbajtëse… s’kam për t’i harruar ndonjëherë”.

“Është moment historik pasi arritëm të zbresim në Hënë. Hedhja e raketës ishte me rëndësi,” thotë një pjesëmarrëse në kampin hapsinor.

12-vjeçarja Lillian Duran nuk kishte lindur kur mbi sipërfaqen e Hënës shkeli për herë të fundit njeriu. Por ajo shpreson që në këtë përvjetor të zbritjes në Hënë do të zgjohet interesim i ri tek brezat për programet hapsinore.

“Duam të shkojmë edhe më tej në eksplorimet në hapësirë,” thotë ajo.

Kureshja e pandarë e njerëzimit për hapësirën frymëzoi një brez të rinjsh të bëhen astronautë e inxhinierë të hapësirës, ndër ta edhe Homer Hickman, autor i librit të suksesshëm me kujtime “Djemtë e Raketave”.

“Ky moment shërben për të festuar një arritje të së kaluarës, por na jep edhe një impuls për shtysë drejt së ardhmes”.

Zyrtarët në Qendrën Amerikane për Hapësirën dhe Raketat presin të pastrohet ajri dhe të marrin konfirmimin e përfaqësuesve të organizatës Guiness se është thyer një rekord i ri. Pak metra më tutje, në mjediset e Qendrës Për Fluturimet në Hapësirë vazhdojnë kërkimet për të zhvilluar gjeneratën e re të raketave që do t’i japë trajta të ardhmes së eksplorimit të hapësirës, me udhëtime në Hënë dhe një ditë edhe në Mars.

Presidenti Trump, sfidues ndaj akuzave për racizëm

Presidenti Donald Trump dhe shumë nga aleatët e tij republikanë në Kongres ishin në pozita vetëmbrojtëse të martën, pasi kritikët dënuan komentet dhe postimet në Twitter të presidentit që ata i quajnë raciste, ku ai thoshte se katër anëtare demokrate të Kongresit duhet të kthehen në vendet nga kanë ardhur, pas kritikave të tyre për Shtetet e Bashkuara. Të katër ligjvënëset janë qytetare amerikane dhe tre prej tyre kanë lindur në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, polemikat e fundit kanë nxjerrë në pah ndasitë e thella lidhur me politikën dhe racën në Shtetet e Bashkuara.

Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump qëndroi sfidues duke mbrojtur komentet e mëparshme ku u thoshte anëtareve demokrate të Kongresit, të iknin nga vendi nëse ishin të pakënaqura.

“Dëgjoni se çfarë kanë thënë. Deklaratat më të ndyra, të tmerrshme për vendin tonë, për Izraelin, për të tjerë. E kanë në dorë të bëjnë ç’të duan. Mund të ikin, mund të rrinë, por duhet ta duan vendin tonë dhe të punojnë për të mirën e tij”, tha ai.

Komentet e Presidentit Trump drejtuar katër demokrateve me ngjyrë, shkaktuan reagime nga kritikët që e akuzuan se ishte racist.

“Mendoj se ajo që bëri Presidenti Trump, është e turpshme. Të nxisësh anën më të keqe të instinkteve njerëzore, të përçash Amerikën…asnjë president më parë nuk e ka bërë këtë”, tha udhëheqësi i demokratëve në senat, Chuck Schumer.

Disa republikanë e ngritën zërin dhe akuzuan presidentin se po përpiqet të përçajë vendin.

“Do të kisha dashur ta kapërcenim. Por druhem se me komentet e lëshuara, i jemi rikthyer përçarjes që është aq shkatërruese për frymën tonë kombëtare”.

Republikanë të tjerë, ose heshtën ose e anashkaluan çështjen.

Alexandria Ocasio-Cortez është një nga anëtaret demokrate të Kongresit, që u vu në shënjestër nga Presidenti.

Ajo u bëri thirrje amerikanëve të mos shpërqendrohen nga sulmet e presidentit.

“Dhe e para gjë që dua t’u them fëmijëve në gjithë vendin është se çfarëdo që të thotë presidenti, ky vend you takon juve dhe na takon të gjithëve”.

Përplasja e fundit mes presidentit dhe demokratëve ka gjasa të jetë një prelud i fushatës presidenciale të vitit të ardhshëm.

Reflektime të astronautëve mbi Misionin Apollo për eksplorimin e hapësirës

Ndërkohë që bota feston 50 vjetorin e misionit historik për të dërguar njerëz në Hënë, Zëri i Amerikës ju sjell reflektimet mbi këtë arritje monumentale përmes syve të astronautëve të NASA-s. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh ka përgatitur një përmbledhje të citimeve nga intervista me astronautët e misionit Apollo mbi rrugëtimin drejt Hënës dhe destinacionet që e presin njerëzimin në të ardhmen:

“Në 1957 isha student me një bursë Fullbright në Norvegji. Kisha dalë në terren për të mbledhur të dhëna gjeologjike. I vetmi kanal që kapte radioja ishte Zëri i Amerikës nga një stacion në Algjer. Po dëgjoja një nga emisionet muzikore të Willis Conover mbi xhazin amerikan, kur u ndërpre transmetimi për të njoftuar se Bashkimi Sovjetik kishte hedhur satelitin e parë, Sputnik Një në orbitë rreth Tokës. Në atë moment e kuptova që duhet të filloja t’i kushtoja vëmendje hapësirës,” thotë në një intervistë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 11.

“Kemi vendosur të shkojmë në Hënë dhe të realizojmë arritje të tjera në këtë dekadë, jo sepse janë objektiva të lehta, por sepse janë të vështira,” pat thënë Presidenti John Kennedy.

“Kur Presidenti Kennedy e bëri njoftimin se po përpiqeshim të dërgonim njeriun në Hënë brenda dekadës, nuk më besohej. Mendoja që po e thoshte thjesht për të na dhënë vetëbesim, por nuk e mendoja të realizueshme,” thotë Jim Lovell, astronaut në misionet Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Asnjë vend që synon të jetë udhëheqës mes vendeve të tjera nuk mund të mendojë se mund të rrijë pas në garën e hapësirës,” tha Presidenti Kennedy.

“Një ambicje e pashembullt: synimi për të qenë i pari në hapësirë. Synimi për të qenë në krye. Çdo gjë tjetër është e papranueshme për njerëzit e këtij vendi,” thotë Eugene Cerman, astronaut në misionet Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Është një pasqyrim shumë dramatik i asaj që mund të arrish duke bashkuar njerëzit më të aftë, me përparimet më të mëdha, nën udhëheqjen e duhur. Me këtë kombinim mund të bësh mrekullira,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Ishte një arritje që shërben si shembull i organizimit të mirë brenda një agjencie qeveritare. Shembuj të tillë në ditët tona janë të rrallë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Investuam shumë kohë, energji e përpjekje njerëzore për të dalë në krye me misionet Apollo,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

“Programi i hapësirës pati ndikimi pozitiv pasi u dha njerëzve frymëzim dhe shpresë për misionet që kishte ndërmarrë vendi,” thotë Jim Lovell, astronat i misioneve Apollo 8 dhe Apollo 13.

“Misioni Apollo 13 tregon se çfarë mund të realizojë një ekip i përgatitur,” thotë Gerry Griffin, , drejtor fluturimi i misionit Apollo 13.

“Ekipi që ishte përgatitur për të reaguar në situata emergjente e bëri detyrën në mënyrë që meriton lavdërime,” thotë astronauti Buzz Aldrin.

“Isha drejtor i fluturimeve për misionin Apollo 17 kur Gene Cerman dhe Jack Schmitt u lëshuan në hapësirë. Lexuam një mesazh të presidentit që me pak fjalë thoshte se ky mund të ishte udhëtimi i fundit i Apollos për këtë shekull. Ishte një moment sa triumfi aq edhe keqardhjeje, pasi ne si komb po hiqnim dorë nga ambicja si ekspolues të hapësirës,” thotë Gene Kranz, drejtor i fluturimeve për programin Apollo.

“Do të rikthehemi në Hënë,” thotë Eugene Cerman, Astronaut i misioneve Apollo 10 dhe Apollo 17.

“Miku im, Neil Armstrong mendonte se rikthimi në Hënë ishte hapi i duhur dhe i nevojshëm që do t’i paraprinte eksplorimit të Marsit,” thotë Michael Collins, astronaut i Misionit Apollo 11.

“Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të kalonin 50-60 vjet para se amerikanët të shkonin përsëri në Hënë,” thotë Harrison Schmitt, astronaut i misionit Apollo 17.

“Kur më kujtohet si mendonim në atë kohë, më çudit fakti që ende nuk kemi shkuar në Mars,” thotë Fred Haise, astronaut i misionit Apollo 13.

“Jam marsian. Mendoj se Marsi është destinacioni tjetër që duhet të arrijmë,” thotë Michael Collins, astronaut i misionit Apollo 11.

“Mirëpres 50-vjetorin e atij momenti historik, pasi është dhe duhet të jetë një riafirmim i rrugës që duhet të ndjekim,” thotë Buzz Aldrin, astronaut i misionit Apollo 11.

Twittet e Presidentit Trump për ligjvënëset me ngjyrë shkaktojnë zemërim

Në një numër twittesh të dielën në mëngjes, të cilat u cilësuan menjëherë nga kritikët si komente raciste dhe ksenofobike, Presidenti Donald Trump ka provokuar një tjetër polemikë që lidhet me disa anëtare të Kongresit.

Presidenti sulmonte në twiterat e tij disa ligjvënëse demokrate, me ide progresive, duke u thënë atyre të kthehen në vendet e tyre për të dhënë ndihmesë në pakësimin e krimeve në ato vende. https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1150381394234941448tps://twitter.com/realDonaldTrump/status/1150381394234941448

Në mesin e katër ligjvënëseve që u bënë objekt i sulmeve të Presidentit, vetëm njëra prej tyre, ligjvënësja e Minesotës – Ilhan Omar, nga Somalia – ka lindur në një vend të huaj. Tre ligjvënëset e tjera janë amerikane indigjene – Ayana Pressley (e shtetit Massachusetts) ka lindur në Cincinnati të Ohios. Alexandria Ocasio-Cortez ka lindur në Nju Jork dhe përfaqëson pjesën lindore të lagjes Bronx dhe një pjesë të lagjes Queens), ndërsa Rashid Tlaib, ligjvënëse e Michiganit, ka lindur në Detroit.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese të Zërit të Amerikës, për të konfirmuar në se Presidenti ishte në dijeni para se të niste twittet, se tre nga katër ligjvënëset që ai përmendëte, janë shtetase amerikane, të lindura në SHBA.

Ligjvënëset në fjalë kanë patur një polemikë me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, demokraten Nancy Pelosi, lidhur me çështjet e imigracionit. Kjo mosmarrëveshje tërhoqi ditët e fundit vëmendjen e zotit Trump, i cili madje i doli në mbrojtje në publik zonjës Pelosi.

Twittet e Presidentit Trump lidhur me katër ligjvënëset demokrate, të njohura ndryshe si “grupi”, erdhën pas një segmenti 20 minutësh kushtuar atyre në televizionin Fox News. Presidenti shpesh reagon menjëherë në mediat sociale ndaj programeve që sheh në kanalin Fox.

Në veçanti, ligjvënësja Omar, ka qenë objekt kritikash në këtë televizion, pjesërisht për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj Izraelit dhe të disa komenteve të saj antisemite.

Ligjvënëset Omar dhe Tlaib janë dy my myslimanet e para të zgjedhura në Kongresin amerikan.

Shumë njerëz në mediat sociale po i dënojnë twittet e zotit Trump, që duket se i kanë tejkaluar këtë herë normat, edhe pse zakonisht ai shkruan twitte provokuese.

Në mesin e kritikëve, është edhe ligjvënësja Pelosi, e cila shkroi se komentet e zotit Trump janë ksenofobike dhe “synojnë ta përçajnë vendin tonë” dhe ato “ritheksojnë se plani i tij – për ta bërë Amerikën përsëri madhështore -, ka qenë në fakt gjithmonë ta bëjmë Amerikën përsëri të bardhë”. za

New York, fenomeni Manhattanhenge sërish sjell pamje mahnitëse

New York

Shumë njerëz në New York janë tubuar në Manhattan për të shijuar pamjet e fenomenit të ashtuquajtur Manhattanhenge, perëndimit të diellit në linjë me rrugët kryesore të kësaj lagjeje të qytetit amerikan.

Fenomeni Manhattanhenge ndodh katër herë brenda vitit, duke shkaktuar një përjetim të veçantë për qytetarët e New Yorkut dhe turistët e shumtë që shijojnë perëndimin e diellit i cili lëshohet në rrugët të cilat janë saktësisht të pozicionuara në kahet lindje-perëndim.

Me paraqitjen e këtij fenomeni, njerëzit nxitojnë për të bërë fotografi të paharrueshme të rrugëve të pushtuara nga drita e artë e diellit në perëndim.

Gara e demokratëve dhe hendeku ekonomik në SHBA

Gara e rrëmujshme e demokratëve që konkurojnë për president, ku deri tani kanë hyrë 24 kandidatë i ka vënë pretendentët përballë detyrës së vështirë për t’u dalluar nga të tjerët. Shumë prej tyre premtojnë plane për të luftuar pabarazinë në të ardhura. Kjo politikë ka në qendër një problem real të shoqërisë amerikane si dhe vë në shenjestër politikat e administratës Trump, e cila përmes reformës fiskale ka lejuar shkurtim të ndjeshëm të taksave për amerikanët më të pasur, por u ka ofruar vetëm përfitime modeste amerikanëve me të ardhura të ulëta.

Kjo temë është shumë e përshtatshme për tonin e fushatave, pasi shoqërohet me statistika që ndezin turmën duke nxitur thirrje për veprim.

Pak kohë më parë, Elise Gould, ekonomiste pranë Institutit të pavarur për Politika Ekonomike dëshmoi në Kongres se “familjet më të pasura që përfaqësojnë 1% të popullatës kanë përjetuar rritje të të ardhurave në masën 229% që nga 1979, shumë më tepër se 46% rritje ose rritje në masën 1% për vit për 90% të familjeve amerikane që përfaqësonë shtresat më të varfëra”.

Hendeku ekonomik po thellohet. Sipas Institutit për Studime Politike, tre personat më të pasur: Jeff Bezos, Bill Gates dhe Warren Buffet së bashku kontrollonin më shumë pasuri se 50% e amerikanëve që përfaqësojnë gjysmën më të varfër të vendit. 5% e amerikanëve që renditen si personat më të pasur në vend kontrollojnë 2/3 e pasurisë së përgjithshme të vendit.

Sanders, i pari me thirrjet për mbylljen e Hendekut në të Ardhura

Senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders i takon merita që e solli në qendër të vëmendjes këtë temë. Tani që konkurron për herë të dytë për president, zoti Sanders vazhdon të bëjë thirrje për taksa ndëshkuese ndaj më të pasurve dhe betohet të mbledhë 2.2 miliardë dollarë nga afro 600 miliarderë që ka Amerika, duke rritur taksën mbi shumën që trashëgojnë pasardhësit duke e çuar në 77% të shumës. Ai ka mbështetur prej kohësh rrogën minimale prej 15 dollarësh.

Shumë nga politikat që ai parashtroi gjatë fushatës përballë rivales demokrate Hillary Clinton tani janë përqafuar nga konkurrentë të tjerë demokratë.

Biden me plane që ndërthurin Politika Progresive e të Moderuara

Ish-nënpresidenti Joe Biden ka propozuar zgjidhe që përpiqen të gjejnë balancën mes politikave që duan të taksojnë të pasurit dhe alternativave më të moderuara që pat përqafuar administrata Obama. Zoti Biden ka kritikuar ligjet që mbrojnë shumë të pasurit nga taksimi i trashëgimisë si dhe shkurtimet e taksave që miratoi administrata Trump, duke i cilësuar si favorizuese për më të pasurit. Por gjithashtu ai ka premtuar se nuk do të vërë në shenjestër të pasurit me taksa ndëshkuese.

Warren premtojn “taksë mbi Ultra Milionerët”

Ndër kandidatët më agresivë është Senatorija Elizabeth Warren e cila ka propozuar “taksë mbi ultra milionerët”. Në bazë të propozimit do të ndëshkoheshin me 2% taksë pasurie të gjithë ata që kanë më shumë se 50 milionë dollarë pasuri neto dhe me 3% të gjithë ata që janë miliarderë. Të ardhurat për buxhetin që do të rezultonin nga këto politika do të ndihmonin programe që mbështesin familjet me të ardhura të ulëta, duke ofruar kujdes si për shembull kopshte falas për fëmijët, si dhe banesa me kosto të ulët, thotë zonja Warren.

Propozimet fiskale të Kamala Harris

Senatorja Kamala Harris ka propozuar rimbursim deri në 6000 dollarë të taksave në vit për familje. Ajo mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh si dhe programe për të mbrojtur amerikanët nga kostot e strehimit që marrin 30% të të ardhura të familjes. Ajo kërkon eliminimin e shkurtimit të taksave që miratoi administrata Trump.

Kryebashkiaku Butigieg pro Rrogës Minimale $15

Kryebashkiaku Pete Buttigieg aktualisht është pak i paqartë në politikat që mbështet për të zgjidhur pabarazinë ekonomike. Ai mbështet rrogën minimale prej 15 dollarësh dhe forcimin e sindikatave që të mund të luftojnë për paga më të larta. Ai gjithashtu kërkon leje të paguar për nevoja familjare dhe lehtësira për kujdesin për fëmijët e vegjël.

O’Rourke pa shumë shpjegime

Ish-ligjvënësi nga Teksasi Beto O’Rourke, ka qenë më i paqarti ndër kandidatët kryesorë lidhur me politikat për të zgjidhur hendekun ekonomik mes shtresave amerikane. Gjatë fushatës ai ka pohuar se ka një përqëndrim të pashembullt të pasurisë dhe privilegjit tek një grup i vogël njerëzish, por nuk ka dhënë shpjegime si do ta adresojë këtë problem. Në faqen elektronike të fushatës së tij, ky problem nuk renditet si një ndër përparësitë e tij politike.

Booker premton “Bono për Foshnjet”

Disa nga propozimet më të padëgjuara më parë mbi këtë temë kanë dalë gjatë kësaj fushate, por pa tërhequr shumë vëmendje nga votuesit. Senatori Corey Booker propozon “bono për foshnjet” për të vënë mënjanë 1000 dollarë në vit (në rastet e familjeve të varfra 2000 dollarë në vit) për çdo fëmije të lindur në SHBA. Paratë do t’i mbante në një llogari Departamenti i Thesarit deri kur fëmija të arrinte moshë të rritur. Këto fonde do të arrinin afro 46 mijë dollarë për person duke i dhënë mundësi personit të blinte një banesë, apo të financonte studimet ose pensionin.

Yang flet për “Lirinë e Përpjesëtuar”

Andrew Yang, i cili krijoi një kompani shumë të suksesshme për përgatitjen e studentëve për provime universitare, megjithëse pa përvojë politike ka tërhequr vëmendje për propozimin që t’i ofrojë çdo amerikani një të ardhur minimale bazë. Ai e cilëson si “Liria e Përpjesëtuar” apo “Liria e Shpërndarë” dhe propozon që qeveria t’i ofrojë çdo amerikani 1000 dollarë në muaj që do të mbulohet nga një taksë mbi transaksionet finaciare dhe ka propozuar gjithashtu eliminimin e favorizimeve përmes taksave të të ardhurave nga investimet.

Pavarësisht se kush do ta fitojë garën mes pretendentëve demokratë, fituesi pritet të dalë në garë përballë Presidentit Trump me disa propozime që do të adresojnë hendekun në të ardhura mes amerikanve më të pasur dhe shtresave të mesme e të varfra.

Rojet Bregdetare Ameriane kapin një nëndetëse tjetër me drogë

VOAL – Një tjetër operacion anti-drogë, të mërkurën nga Rojet Bregdetare të SHBA, që kapi një sasi të konsiderueshme droge.

Në mes të majit dhe korrikut, në 14 operacione të ndryshme në zonat bregdetare të Meksikës dhe Amerikës së Jugut, ushtria amerikane, pas sulmeve të shumta, ka kapur gjithsej 17 000 kilogramë kokainë dhe 423 marihuanë. Vlera e tregut e barnave të mbuluara nga Rojet bregdetare është rreth 505 milionë euro.

Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit gjithashtu kapin anije, anije ose nëndetëse të vogla të përdorura nga trafikantët për kontrabandë të narkotikëve gjatë rrjedhës së operacioneve.

AP

Samiti i mediave sociale në Shtëpinë e Bardhë

Një numër grupesh të njohura konservatore mblidhen të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si duhen trajtuar raportimet në mediat sociale.

Por gjigandët e medias sociale, Twitter dhe Facebook nuk marrin pjesë pasi nuk janë ftuar.

Për Samitin e Shtëpisë së Bardhë dhe për pjesëmarrësit në të janë dhënë pak hollësi, por konferenca vjen mes kritikave të shumta për këto kompani.

Disa argumentojnë se kompanitë e mediave sociale po heshtin zërat konservatorë. Të tjerë thonë se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur përdoruesit nga dezinformatat dhe postimet fyese.

Një argument për të cilin bihet dakord është se firmat e teknologjisë janë të fuqishme dhe kontrollojnë kanale të rëndësishme të informacionit. Ka thirrje për një zbatim më të fuqishëm të ligjit anti-trust dhe për të parë nëse këto kompani duhet të ndahen.

Presidenti Donald Trump është i apasionuar i Twitter-it, duke e përdorur platformën si për të trumpetuar punën e administratës së tij ashtu edhe për të sulmuar kundërshtarët.

“Shtëpia e Bardhë do të organizojë një samit shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm për Median Sociale sot,” shkroi ai në Twitter përpara ngjarjes. “A do të bëhesha President pa Median Sociale? Po (ndoshta)!”

Paragjykim ndaj zërave konservatorë?

Presidenti Donald Trump ka kritikuar gjithnjë e më shumë tre kompanitë e mëdha të mediave sociale – Facebook, Twitter dhe YouTube – për atë që ai thotë se është censurë dhe paragjykim ndaj zërave konservatorë.

Të tre kompanitë kanë mohuar vënien në shënjestër të përdoruesve konservatorë kur zbatojnë standardet e tyre të komunitetit social.

Në maj, Shtëpia e Bardhë u kërkoi njerëzve të ndanin eksperiencat e tyre në një faqe elektronike.

“Në fillim të këtij viti Shtëpia e Bardhë filloi një nismë për të lejuar amerikanët, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre politike, të tregojnë se si janë prekur nga paragjykimet në internet. Pas marrjes së mijëra përgjigjeve, Presidenti dëshiron të angazhohet drejtpërdrejt me këta liderë dixhitalë në një diskutim për fuqinë e mediave sociale”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere në një deklaratë të martën pasdite.

Faqja elektronike tani është e mbyllur, por një mesazh u tregon vizitorëve se “platformat e mediave sociale duhet të avancojnë lirinë e fjalës. Megjithatë, shumë amerikanë kanë parë që llogaritë e tyre janë pezulluar, ndaluar apo raportuar për shkelje të paqarta të politikave të përdoruesve”. https://whitehouse.typeform.com/to/Jti9QH

Samiti është për “udhëheqësit dixhitalë” të interesuar për “një bisedë të fuqishme mbi mundësitë dhe sfidat e mjedisit të sotëm online”, tha Shtëpia e Bardhë kur njoftoi për konferencën.

Të ftuar, ekspertë dhe drejtues konservatorë

Ndërkohë që lista e pjesëmarrësve nuk është bërë publike, ndër të ftuarit janë Zëvendëskryetari i Partisë Republikane të Floridës, Christian Ziegler dhe anëtarë të grupeve konservatore si Fondacioni Heritage dhe Turning Point USA.

Është e rëndësishme për njerëzit të mësojnë se si faqet e mediave sociale moderojnë përmbajtjen, tha Jillian York, drejtoreshë për lirinë ndërkombëtare të shprehjes në Fondacionin Elektronic Frontier, një organizatë dixhitale për liritë civile.

Kompanitë e mediave sociale “nuk po veprojnë si duhet” dhe po heqin fjalime që nuk duhet, tha ajo. Por as vlerësimi i administratës Trump për konservatorët nuk është i drejtë, shtoi ajo.

“Rregulli duhet të jetë liria e shprehjes,” tha ajo. “Duhet të hiqen përmbajtje vetën për rrethana vërtet të rrezikshme.”

Clara Tsao, një bashkëpunëtore për kompaninë Mozilla tha se sipas ligjit amerikan, ofruesit e “shërbimeve interaktive kompjuterike” lejohen të përjashtojnë njerëzit nga komunitetet e tyre në internet, për të mbrojtur përmbajtjen dhe vendimet editoriale dhe për të ofruar standarde të mirësjelljes. “Është një problem i ndërlikuar”, thotë ajo. “Ka një keqkuptim rreth asaj se si duhet të bëhet moderimi i përmbajtjes”.

‘Izolimi’ i fjalës

Kompanitë e mediave sociale vazhdojnë të bëjnë ndryshime në shërbimet e tyre për të hequr llogaritë e rreme dhe në disa raste, për ta bërë më të vështirë të shihen postime që konsiderohen të pavërteta ose ofenduese.

Këtë javë, Instagrami, i cili është pronë e Facebook-ut, njoftoi ndryshime për të goditur bulizmin. https://www.businessinsider.com/instagram-announces-restrict-mute-feature-ai-flag-offensive-comments-2019-7

Kohët e fundit, Reddit “pezulloi” një grup diskutimi në faqen e tij për shkak të një kërcënimi për dhunë. Përdoruesit shohin tani një paralajmërim përpara se të hyjnë në grup. za

Boeing po e humb vendin e parë në botë

Aeroplani Boeing 737 MAX

Kompania amerikane e aeroplanëve Boeing po e humb pozitën e të qenit prodhuesi më i madh i avionëve në botë, pas një rënieje prej 37 për qind në shitjet, për gjysmën e parë të vitit.

Rënia ndodhi shkaku i debateve të zgjeruara për aeroplanët e saj më të shitur 737 MAX, dy prej të cilëve u rrëzuan për një periudhë të shkurtë kohore, duke lënë të vrarë 346 persona.

Shifrat tregojnë se shitjet e Boeing, ka të ngjarë të bien pas kompanisë rivale evropiane Airbus, për herë të parë në tetë vjet.

Administrata Federale e Aviacionit Federal të SHBA-së, javën e kaluar zbuloi një problem të ri me avionët MAX, duke vonuar kthimin e aeroplanëve në përdorim deri në fund të shtatorit dhe ndoshta duke shtuar kostot për Boeing.

Gjykata e Apelit nuk lejon presidentin Trump të bllokojë kritikët në Twitter

Një gjykatë amerikane federale e apelit vendosi që Presidenti Donald Trump nuk mund të heshtë kritikët në llogarinë e tij të Twitter-it, duke thënë se bllokimi i tyre shkel të drejtën kushtetuese të lirisë sër fjalës.

Gjykata e Dytë e Apelit në Manhattan vendosi me një vendim 3-0 të martën, se Amendamenti i Parë i Kushtetutës e ndalon Trump-in të bllokojë kritikët nga llogaria e tij që është një platformë publike.

Në emër të panelit prej tre gjyqtarëve, gjykatësi Barrington Parker shkruan “Amendamenti i Parë nuk lejon një zyrtar publik që shfrytëzon një llogari të mediave sociale për të gjitha llojet e qëllimeve zyrtare, të përjashtojë persona nga një dialog i hapur në internet, për shkak se ata shprehin pikëpamje me të cilat zyrtari nuk pajtohet “.

Presidenti Trump e ka përdorur llogarinë e tij të Twitter-it, që ka më shumë se 60 milionë ndjekës, për të promovuar axhendën e tij dhe për të sulmuar kritikët.

Gjykata vendosi për një padi të paraqitur nga Instituti i Kalorësve të Amendamentit të Parë të Universitetit Columbia në emër të shtatë personave të cilët u bllokuan nga presidenti Trump pasi kritikuan politikat e tij.

Vendimi mbajti në fuqi një vendim të majit 2018 nga Gjykata për Qarkun Jugor të Nju Jorkut. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se vendimi ishte “krejtësisht i keqkuptuar”, duke argumentuar se presidenti Trump e përdor llogarinë e tij në Twitter në kapacitetin e një individi privat për të shprehur pikëpamjet e tij dhe jo si një forum për diskutime publike.

Administrata Trump nuk ka komentuar menjëherë për vendimin, ashtu sikurse edhe kompania Twitter, apo paditësit. za

Uashington, mbretëresha e bukurisë në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale

Katelynne Cox

Në epokën e lëvizjes #MeToo, Miss-i i kryeqytetit amerikan, Miss District of Columbia 2019, po e përdor titullin e saj për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale dhe për të rritur ndërgjegjësimin për këtë problem. Ajo quhet Katelynne Cox, një 25-vjeçare që krahas të qënurit Miss është edhe drejtore ekzekutive e organizatës “Heshtja nuk është Bashkëpunim”. Kjo organizatë rehabiliton të mbijetuarit e dhunës seksuale, si dhe përgatit fëmijët se si të parandalojnë dhunën seksuale.

Çdo vit, Miss-i i Distriktit të Kolumbisë vlerëson vajza me rezultate të larta që jetojnë apo punojnë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.

Katelynne Cox është fituese për këtë vit.

“Organizata Miss DC është pjesë e programit Miss America dhe ofron çdo vit mbi 25 mijë dollarë bursa studimi për pjesëmarrësit. Fituesja fiton edhe një bursë prej 10 mijë dollarësh. Ka gjithashtu edhe një mori çmimesh për akademikët”, thotë Katelynne.

Oganizata jo vetëm u ofron pjesëmarrësve një platformë për të treguar talentin e tyre, por është edhe një mundësi për të zgjedhur një inciativë me ndikim social për të cilën kanë ndjenja të forta. Për Katelynne, është të ndihmojë viktimat e përdhunimeve.

“ ‘Heshtja nuk është Bashkëpunim’ është një organizatë që krijova në vitin 2016 për të ndihmuar në rehabilitimin e të mbijetuarve të sulmit seksual. Dua të ofroj mundësinë e paralajmërimit të hershëm… Unë jam vetë e mbijetuar e një sulmi seksual. Më përdhunuan në kolegj. Doja ta shndërroja eksperiencën time të tmerrshme në një mënyrë për të ndihmuar të tjerët. Prandaj krijova organizatën dhe fillova lobimin për një projektligj të quajtur ‘Viktimat të parat’, thotë Katelynne.

Ajo thotë se do të vazhdojë të lobojë tek ligjvënësit në Uashington për të ndryshuar mënyrën se si trajtohen viktimat.

“Do të thoja se sipas politikave aktuale, viktimat trajtohen si mjete në funksion të prokurorisë dhe jo si viktima, të cilat duhet të shpëtohen. Kjo është ajo që unë dua ta ndryshoj”, thotë zonja Cox.

Katelynne thotë se ajo do të kryejë edhe funksionet e Miss DC 2019, së bashku me punën për të ndihmuar të mbijetuarit e sulmeve seksuale. Do të jetë një vit i ngarkuar, ndërsa ajo përgatitet për konkursin e Miss America 2020 që zhvillohet në muajin shtator.

Financieri amerikan akuzohet për trafikim vajzash për qëllime seksuale

Miliarderi amerikan Jeffrey Epstein, që është i regjistruar si predator seksual, u akuzua të hënën se drejtonte një rrjet trafikimi vajzash të mitura për seks. Zoti Epstein deklaroi pafajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut. Ai është dënuar edhe më parë për krime seksuale dhe në vitin 2008, arriti një marrëveshje me prokurorët në Florida që i siguroi një vendim të zbutur. Financieri u arrestua të shtunën në mbrëmje, pasi arriti nga Franca me avionin e tij privat.

Miliarderi 66 vjeçar doli në një gjykatë të Nju Jorkut ku deklaroi se ishte i pafajshëm ndaj akuzve se drejtonte një rrjet të gjerë vajzash të mitura për marrëdhënie seksuale. Sipas akt-padisë, zoti Epstein i kishte joshur vajzat të shkonin në vilat e tij në Manhatan dhe Florida në periudhën 2002-2005 dhe i kishte paguar qindra dollarë për seks.

“Vajzat nën moshë, në fillim u rekrutuan për masazh dhe shpesh e bënin një gjë të tillë të zhveshura ose pjesërisht të zhveshura. Këto masazhe morën gjithnjë e më shumë një natyre seksuale dhe shpesh përfshinin një ose më shumë veprime seksuale, siç sqarohet në akt-padi”, tha Geoffrey Berman, Prokuroror i Qarkut Jugor të Nju Jorkut.

Zoti Epstein, që shoqërohej shpesh me të pasurit dhe të fuqishmit, përfshirë Presidentin Donald Trump, u shpall fajtor për krime seksuale në Florida në vitin 2008 dhe u dënua me 13 muaj burg. Një nga akuzueset ishte Michelle Licata, që ishte rekrutuar t’i bënte masazh kur ishte 16 vjeç.

“Ai thoshte gjithë kohës ‘O zot, sa e bukur, seksi dhe e mrekullueshme je’ dhe më vinte në pozitë shumë të vështirë”.

Sekretari në detyrë i Punës, Alexander Acosta, që ishte prokuror në Florida në atë kohë, e ndihmoi zotin Epstein që të arrinte një dënim të zbutur, që e lejonte atë të dilte nga burgu çdo ditë për të shkuar në punë, por sipas të cilit, ai duhet të regjistrhej si predator seksual.

Agjenti special i FBI-së, Bill Sweeney tha se agjencia e tij nuk do të ndalet deri kur predatorë të tillë, të jenë nën pranga, pavarësisht nga pushteti, pasuria apo lidhjet e tyre.

“Nëse jeni viktimizuar apo keni informacion shtesë për sjelljen e tij, duam të dëgjojmë prej jush, pavarësisht moshës suaj aktuale, apo në çfarë moshe ishit. Nuk ka rëndësi se ku ose kur ka ndodhur incidenti, apo incidentet”.

Avokati i zotit Epstein nuk ishte në dispozicion për komente të hënën. Zoti Epstein do të jetë në burg deri në seancën për lirim me kusht më 15 korrik, por prokurorët donin që ai të mbetej i ndaluar deri në gjyq, të shqetësuar se mund të largohet nga vendi. Financieri i pasur është banor i ligjshëm i pjesës amerikane të Ishujve të Virgjër dhe ka shtëpi në NJu Jork, Florida dhe Francë.

Kreu i Sigurisë Kombëtare hedh poshtë njoftimet për kushtet e këqija në qendrat e ndalimit

Kreu i Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare kundërshtoi njoftimet për mungesë të ushqimit, ujit dhe kanalizimeve të përshtatshme në qendrat e mbingarkuara me njerëz të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë. Në të njëjtën kohë, disa anëtarë të Kongresit po bëjnë thirrje për përmirësimin e trajtimit të imigrantëve në kujdestarinë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Marcus Harton njofton.

Pas një turneu në një qendrat e ndalimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar, ligjvënësja Aleksandria Ocasio-Cortez kritikoi kushtet brenda saj.

“Asnjë grua nuk duhet të mbyllet kurrë në një qeli kur nuk ka bërë asnjë dëm ndaj një qenieje njerëzore. Duhet t’u jepet ujë, duhet t’u jepet mundësia për të drejtat themelore të njeriut”.

Njoftimet e lajmeve dhe një raport i brendshëm i Patrullës Kufitare e përqendron vëmendjen tek mbipopullimi dhe ndalimi i zgjatur i imigrantëve. Kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në detyrë, Kevin McAleenan, tha në programin This Week të ABC-së se agjencia e tij po bën atë që mundet për të përballuar imigrantët që kanë hyrë në këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

“Kemi patur mbi 500 mijë njerëz që kanë kaluar kufirin tonë jugor. Kalimet mbizotëruese janë bërë nga familje, me fëmijë të pashoqëruar dhe të rritur”, thotë Kevin McAleenan, nën sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

McAleenan tha se njoftimet për kushte johigjienike, mungesë ushqimi dhe ujit të pijshëm, ishin të pabaza. Ai përmendi hapat e ndërmarrë për përmirësimin e qendrave të paraburgimit.

“Kemi bërë shumë. Që nga data 30 dhjetor kur kemi biseduar për këtë çështje, kishim vetëm 20 personel mjekësorë në objektet tona, përgjatë kufirit… Tani kemi mbi 200 … Kemi ndërtuar godina të përkohshme qëjanë shumë më të përshtatshme, me tavane të larta, me më shumë hapësirë për fëmijët dhe familjet”.

“Pashë gati 14 njerëz, që flinin në dysheme. Disa prej tyre thanë se nuk ishin larë për 15 ditë”, tha ligjvënësja Rashida Tlaib ishte pjesë e një delegacioni të Kongresit që vizitoi qendrën e paraburgimit në Clint të Teksasit, javën e kaluar.

“Nuk di si t’ia u shpjegojë njerëzve atë që pamë. Kur ua shpjegojmë njerëzve ata thonë: Kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Por ne ishim të gjithë atje dhe e pamë”, thotë ligjvënësja Tlaib.

Kongresi kohët e fundit miratoi një paketë prej 4 pikë 6 miliardë dollarë në fonde emergjente, shumë prej të cilave ka për qëllim përmirësimin e situatave për fëmijët dhe familjet e imigrantëve në mjediset e paraburgimit në kufi.

Presidenti njofton urdhër ekzekutiv për pyetjen mbi shtetësinë

Presidenti Trump tha të premten se po “konsideron shumë seriozisht” mundësinë e një urdhri ekzekutiv në përpjekje për të detyruar përfshirjen e pyetjes mbi shtetësinë në censusin e vitit 2020. Komentet ai i bëri përpara skadimit të afatit që gjykatat i patën vendosur administratës Trump për të sqaruar nëse do të përfshije ose jo pyetjen mbi shtetësinë në formularin e regjistrimit të popullsisë për vitin 2020.

Zoti Trump tha se kjo është një nga katër ose pesë alternativat që ai po shqyrton. Në fakt qeveria e ka filluar procesin e printimit të pyetësorit. Presidenti tha gjithashtu se zyrtarët mund të jenë në gjendje të bëjnë një shtesë në pyetësor, në një moment të mëvonshëm.

Avokatët e qeverisë po punojnë të japin një arsyetim të besueshëm mbi hapat e mëtejshëm rreth pyetjes që ka shkaktuar shumë debat. Gjykatat federale dhe disa shtete sfiduan vendimin e administratës Trump për të përfshirë çështjen e shtetësisë në procesin për regjistrimin e popullsisë, që zhvillohet çdo 10 vjet.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë, e cila votoi kundër përfshirjes së kësaj pyetjeje në censusin e 2020-s, tha se qeveria nuk ka bërë një shpjegim të qartë rreth arsyeve se pse kërkon ta shtrojë këtë pyetje në proces.

Çështja u duk se u mbyll të martën kur Departamenti i Drejtësisë dhe ai i Tregëtisë deklaruan se do të nisnin printimin e formularëve pa pyetjen për shtetësinë në mënyrë që të përmbusheshin afatet për kryerjen e regjistritmit të popullissë në kohë.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë argumentuan se kjo pyetje ishte e nevojshme për të ndihmuar zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtën e pakicave për të votuar.

Censusi është i rëndësishëm pasi përcakton numrin e vendeve për në Kongres për çdo shtet si dhe se si do të shpërndahen me qindra miliarda dollarë financime të qeverisë federale. Sipas kritikëve, pyetja për nënshtetësinë do të kishte frikësuar pakicat dhe emigrantët për të plotësuar formularin dhe do t’u jepte republikanëve epërsi.

Një urdhër ekzekutiv në vetvete nuk mund të përmbysë vendimin e gjykatës, por mund t’u jepte juristëve të administratës një mundësi të re në përpjekjet për të bindur gjykatat federale se pyetja duhet përfshirë. Ajo që mund të thuhet është se ndërsa afrohet afati, kjo çështje është pa përgjigje përfundimtare. za

Ligjvënësi republikan largohet nga partia, në Kongres si i pavarur

Justin Amash, ligjvënësi i vetëm republikan i cili kërkoi nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, u largua nga partia ditën e enjte, pikërisht në ditën e pavarësisë së vendit.

39 vjeçari me një mandat pesë vjeçar si ligjvënës i shtetit të Miçiganit, tha për të përditshmen “Washington Post” se sistemi politik dy partiak është thyer, për shkak të “politikave moderne të ngecura në spiralen e vdekjes konfliktuale mes kundërshtarëve demokratë e republikanë”.

Ligjvënësi Amash, shkaktoi zemërimin e Presidentit Trump dhe kolegëve të tij republikanë në Kongres kur së fundmi bëri thirrje për nisjen e procedures për shkarkimin e zotit Trump, bazuar në dyshimet se ai pengoi drejtësinë në një përpjekje për të penguar hetimin e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Largimi e bën atë ligjvënësin e vetëm të pavarur në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në një postim në tweter Presidenti Trump komentoi largimin e ligjvënësit Amash nga Partia Republikane.

Lajm i mrekullueshëm për partinë teksa njëri nga njerëzit më të injorantë e më të pabesë në Kongres po largohet nga partia”, ka shkruar presidenti Trump në llogarinë e tij në Twitter.

Nuk ka pasur bashkëpunim tët fshehtë apo pengim të drejtësisë. Ai e dinte se nuk mund të kandidohej përsëri për shtetin e madh të Miçiganit. Është plotësisht i dështuar”, përfundon postimin e tij zoti Trump.

Në artikullin e gazetës, ligjvënësi Amash shkruan rreth asaj qe e quan “pasojat që sjellin qëndrimet në mesin e klasës politike, se besnikëria ndaj partisë është më e rëndësishme sesa shërbimi ndaj popullit amerikan apo mbrojtja e institucioneve qeverisëse”.

Ai përfundon duke thënë se shumica e amerikanëve nuk janë të pozicionuar fort në llogoret partiake dhe se nuk ndihen të përfaqësuar nga asnjëra prej partive të mëdha.

Sot unë po shpall pavarësinë time duke lënë Partinë Republikane. Në çfarëdo rrethane që ndodheni, ju ftoj që të më bashkoheni në refuzimin e besnikërisë ndaj partisë dhe retorikës që na ndanë dhe na zhduk humanizmin. Kërkoj që të më besoni se ne mund të punojmë më mirë sesa sistemi dy partiak. Nëse vazhdojnë ta marrin Amerikën lehtë, do ta humbasim”, shkruante zoti Amash.

Të paktën 80 nga 235 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë thirrje për nisjen e procedurës për shkarkimin e presidentit Trump. Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi nuk i ka mbështetur këto thirrje.

Në raportin e zotit Mueller thuhej se presidenti Trump nuk komplotoi me Rusinë për të fituar zgjedhjet, por Prokurori i Posaçëm nuk doli në një përfundim nëse si president, zoti Trump pengoi ose jo drejtësinë.

Më 17 korrik Robert Mueller pritet të dëshmojë rreth hetimit të tij 22 mujor përpara dy komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. za

Censusi 2020, gjykatat i kërkojnë sqarime administratës Trump

Gjykatat dhe disa shtete amerikane që sfiduan vendimin e administratës Trump lidhur me përfshirjen e pyetjes për nënshtetësinë në censusin e vitit 2020 po kërkojnë sqarimeve ndërsa Departamentet e Drejtësisë dhe Tregtisë ndryshuan papritur qëndrim pasi kishin pranuar më parë të finalizonin pyetësorit pa pyetjen mbi nënshtetësinë.

Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë arsyetimi i qeverisë për përfshirjen e çështjes së nënshtetësisë nuk i plotëson standardet për një shpjegim të qartë se pse duhet bërë kjo pyetje.

Çështja u duk se u mbyll ditën e martë kur Departamenti i Drejtësisë dhe ai Tregtisë bënë deklarata publike se procesi i printimit të formularit të regjistrimit do të bëhej pa pyetjen, në mënyrë që të përmbusheshin afatet për kryerjen e numërimit në kohë.

Por me një seri postimesh në tweeter Presidenti Donald Trump shkaktoi paqartësi lidhur me procesin ndërsa shkruante se “jemi absolutisht duke ecur përpara, siç duhet, për shkak të rëndësisë së përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje“.

Gjykatësi i Distriktit të Merilendit George Hazel ka vendosur si afat orën 2 pasdite (me orën lokale) të ditës së premte që qeveria të bëjë të ditur nëse do ta përfshijë ose jo çështjen e nënshtetësisë në formularin e regjistrimit.

Kjo çështje mund të ngjallë potencialisht debatin nëse administrata po kërkon të ndrydhë numërimin e pakicave gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Kundërshtarët demokratë të zotit Trump kanë pohuar se përfshirja e çështjes së shtetësisë është një marifet i republikanëve për të trembur emigrantët që të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, nga frika se zyrtarët e imigracionit mund të kërkojnë më pas dëbimin e tyre nëse thonë se ndodhen në mënyrë të paligjshme në vend. Një numër i vogël zonash demokrate me popullsi të madhe emigrantësh, kryesisht nga vendet latine, mund të zvogëlojë numrin e përfaqësimit në Kongres dhe t’u shkurtohen ndihmat federale, në rast të përfshirjes së pyetjes.

Presidenti Trump ndryshon mënyrën e festimit të 4 korrikut

Presidenti biznesmen i Amerikës ka në plan t’i japë një ngjyrim të tij festës së 4 Korrikut, ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkaura, duke paraqitur ushtrinë amerikane dhe duke duke ndryshuar dhe zgjeruar shfaqjen e fishekzjarreve.

Presidenti Donald Trump do të mbajë një fjalim para vendit në shkallët e Memorialit të Lincoln-it në Ditën e Pavarësisë të enjten mbrëma. Në këtë zonë do të krijohet një seksion i veçantë VIP dhe biletat për këto ulëse do të shpërndahen nga Shtëpia e Bardhë.

Më 4 korrik shënohet dita e shpalljes së pavarësisë në vitin 1776 dhe krijimi i Shteteve të Bashkuara si një vend i pavarur. Presidentët në kohët moderne kanë shënuar ditëlindjen e Amerikës duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme, përveç festës kryesore në Sheshin Kombëtar të Uashingtonit.

Festimet e kaluara kanë shmangur politikën

Ndërsa Dita e Pavarësisë shënon një ngjarje të rëndësishme politike në historinë e kombit, festimet tradicionalisht nuk janë fokusuar në ndonjë parti politike ose politikan të veçantë.

Një sondazh i ri tregon se shumica e amerikanëve mbështesin mbajtjen e një fjalimi publik nga presidenti më 4 korrik. Tetëdhjetë e një përqind e republikanëve, 55 për qind e të pavarurve dhe 27 për qind e demokratëve mbështesin planet e Presidentit Trump për të mbajtur fjalim në Uashington.

Megjithatë, duke marrë parasysh fushatën presidenciale të vitit 2020, disa historianë frikësohen se presidenti po injekton politikën partiake në festimet e këtij viti.

“Ai po e kthen këtë festë, e cila duhet të jetë një festë kombëtare, në një festë të tij”, thotë Mary Beth Norton, profesoreshë e historisë historik në Universitetin Cornell dhe autore e librit, “1774: Viti i Revolucionit”, që pritet të dalë në treg së shpejti.

Pjesëmarrja aktive e një presidenti të Shteteve të Bashkuara në festimet e Ditës së Pavarësisë ndryshon karakterin e ngjarjes, thotë Jim Grossman, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Historike Amerikane.

“Dhe kjo nuk do të thotë se ndryshimi është gjithmonë i keq, por kjo do të thotë se ajo bëhet një ngjarje më pak demokratike, dhe më shumë partiake. [Katër Korriku] nuk ka të bëjë me një parti të caktuar, ose një person të caktuar. Në disa mënyra, kjo është një festë politike. Është një festë e demokracisë”.

Planet për më shumë fishekzjarre

Planet e Presidentit Trump për Katër Korrikun përfshijnë fishekzjarre shtesë, së pari, nga një zonë mbrapa Memorialit të Lincoln-it, e pasuar nga një shfaqje e dytë fishekzjarresh nga një park rreth tre kilometra më largë.

Parada Tradicionale e Ditës së Pavarësisë Kombëtare dhe koncerti “A Capitol Fourth” në lëndinën perëndimore të ndërtesës së Kongresit (Kapitolit) do të vazhdojnë si zakonisht.

Sheshi Kombëtar, një zonë me bar që shtrihet në një hapësirë prej tre kilometrash mes Memoriali të Lincoln-it dhe ndërtesës së Kongresit amerikan, është i mbushur me një mori memorialësh që nderojnë historinë e Amerikës dhe është e rrethuar nga muzetë kombëtare Smithsonian.

“Nuk ka vend më të përshtatshëm për të kremtuar përvjetorin e pavarësisë amerikane, sesa mes monumenteve të Kombit në Sheshin Kombëtar dhe përmendoret për nder të burrave dhe grave që kanë mbrojtur Shtetet e Bashkuara në 243 vitet e fundit”, tha Sekretari i Brendshëm David Bernhardt , i cili ndihmoi në planifikimin e ngjarjes.

“Për herë të parë në shumë vite, Memoriali i Luftës së Dytë Botërore dhe zonat rreth pishinës reflektuese do të jenë të hapura për publikun që të shijojë një shfaqje mahnitëse të fishekzjarreve dhe një fjalim nga Presidenti i tyre.”

Pritet të ketë protesta

Disa grupe kanë aplikuar dhe kanë marrë leje për të protestuar gjatë festimeve të këtij viti. Megjithatë, Anita McBride nga Qendra për Studime të Kongresit dhe Presidencës në Universitetin Amerikan, nuk sheh asnjë shkak për alarm.

“Nuk jam kundër çdo presidenti që ndryshon vendndodhjen apo programin për festimet e 4 korrikut”, tha McBride për Zërin e Amerikës përmes email-it. “Ka gjëra shumë të rëndësishme që kanë nevojë për më shumë vëmendje sesa ndryshimi i vendndodhjes dhe programit për festimet”.

McBride, e cila ka punuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së Presidentit Reagan dhe në të dy administratat e Presidentëve Bush, thotë se është e natyrshme që të ketë ndjenja të forta për çdo president.

“Ndjenjat e larta partiake kanë ekzistuar para Presdentit Donald Trump, por nuk ka dyshim se ato janë përkeqësuar gjatë administratës së tij,” thotë McBride. “Nuk është vetëm ai përgjegjës për këtë. Megjithatë, nëse njohim vendin tonë për atë që është, plotë personalitete, qëndrime dhe opinione të ndryshme, atëherë nuk duhet të lejojmë dallimet të pakësojnë atë që përfaqëson festa”.

Nderimi i Forcave të Armatosura

Presidentit do të nderojë forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara përmes muzikës, shfaqjeve ushtarake dhe fluturimeve të avionëve ushtarakë.

“Katër korriku duhet të jetë në lidhje me nderimin e dokumenteve themeluese”, thotë Grossman. “Katër korriku nuk është një festë ushtarake, por një festë politike që nderon demokracinë. Është nderimi i krijimit të një kombi, dhe nuk meriton të militarizohet.”

“Nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë një festë për forcat e armatosura,” thotë Norton. “Kemi ditë të tjera për të nderuar forcat e armatosura. Kemi Ditën e Përkujtimit të të Rënëve, Ditën e Veteranëve, Ditën e Forcave të Armatosura. Njerëzit që festojnë Katër Korrikun janë kryesisht civilë dhe gjithnjë ka qenë kryesisht një festë civile dhe mendoj se duhet të mbetet kështu.”

Presidenti Trump i ndikuar nga festimi për Ditën e Bastijës

Presidentit Trump i lanë përshtypje të mira paradat ushtarake pasi mori pjesë në festimet për nder të Ditës së Bastijës në Paris në vitin 2017. Një plan për një paradë ushtarake për Ditën e Veteranëve në Pensilvani u anulua për shkak të kostos që vlerësohej se mund të arrinte deri në 92 milionë dollarë.

Fjalimi i Presidentit Trump mund ta zhvendosë fokusin e festës tek kreu i përkohshëm i vendit, në vend të qytetarëve të tij dhe Deklaratës së Pavarësisë, e cila i bashkon të gjithë.

“Katër Korriku më patriotik është ai që feston popullin amerikan dhe rëndësinë e dokumenteve themeluese që kanë krijuar themelin për legjitimitetin e institucioneve tona politike”, thotë Grossman.

Ende nuk është e qartë se sa do t’i kushtojnë festimet e zgjeruara qytetit të Uashingtonit dhe qeverisë federale. Zyrtarët e qytetit thonë se administrata e Presidentit Trump ende nuk ka paguar 7 milionë dollarë për shpenzimet në lidhje me ceremoninë e inaugurimit të vitit 2017.

Presidenti Trump dhe Kim Jong Un takohen në zonën e çmilitarizuar

Donald Trump u bë presidenti i parë amerikan në detyrë, që vizitoi Korenë e Veriut, duke kaluar kufirin gjatë një takimi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në zonën e çmilitarizuar.

Pash shtrëngimit të duarve në fshatin kufitar Panmunjom, presidenti Trump kaloi vijën ndarës ë të kufirit ndërmjet të dy Koreve. Kimi më pas kaloi kufirin në Korenë e Jugut.

“Më vjen mirë që ju shoh sërish”, i tha ai presidentit Trump. “Nuk e kam pritur kurrë t’ju takoj në këtë vend”.

“Ishte nder i madh ta kaloj atë vijë”, tha presidenti Trump, i cili e ftoi udhëheqësin Kim në Shtetet e Bashkuara për një takim tjetër zyrtar.

Presidenti Trump tha të shtunën se takimi do të zgjasë vetëm dy minuta. Megjithatë, bashkëbisedimi zgjati me shumë dhe të dy udhëheqësit u futën në një ndërtesë aty parë për të biseduar më tej.

Për shumëkënd, shtrëngimi i duarve në zonën e çmilitarizuar mund të shënojë ripërtëritjen e bisedimeve të bllokuara bërthamore, por shumë analistë tërheqin vërejtjen se takimi është thjeshtë një fotografi dhe legjitimim i mëtejshëm i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Në ambasadën e Kosovës në Uashington nderohet presidenti amerikan Woodrow Wilson

Një delegacion shqiptarësh po viziton Shtetet e Bashkuara për të shprehur mirënjohjen e tyre për ndihmën amerikane, me rastin e 100 vjetorit të Traktatit të Versajës, që njihet edhe si traktati i paqes. Nderim i veçantë iu bë presidentit amerikan,Woodrow Wilson, në një ekspozitë me fotografi e dokumente arkivore në Ambasadën e Kosovës në Uashington. Aty u kujtua roli i presidentit Wilson në krijimin e shtetit të Shqipërisë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë. Aktivitete si këto rikonfirmojnë raportin e veçantë mes shqiptarëve dhe amerikanëve, raport ky që i ka rrënjët qysh nga koha e presidentit Wilson. Kolegu Burim Goxhuli ka përgatitur materialin.

Presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, gëzon një vend të veçantë në historinë shqiptare.

Ai vuri themelet e para të miqësisë shqiptaro-amerikane, raport ky që ruhet edhe sot.

Kontributi i presidentit Wilson u nderua në një ekspozitë në ambasadën e Kosovës në Uashington, me rastin e 100 vjetorit të traktatit të Versajës, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare në Shkup, Instituti për Studime Shqiptaro-Protestante dhe qeveria e Kosovës.

Historiani Skënder Asani, tregoi arsyen pse figura e presidentit Wilson zë vend kaq të rëndësishëm në historinë shqiptare.

“Presidenti Wilson gjatë fushatës zgjedhore angazhohej për paqe dhe jo për luftë dhe ai ishte i detyruar që në fund të mandatit të tij të kyçet në luftën e parë botërore dhe pikerisht nga tmerri që pësuan me dhjetra milionë njerëz gjatë luftës së parë botërore, ai konceptoi kërkesat të cilat do të jenë edhe një proces i cili do tu mundësoj popujve të vegjël të kenë shtetin e tyre kombëtarë dhe të ecin në rrugën që janë shtetet tjera”.

Asani thotë se në Traktatin e Versajës egzistonin dy koncepte ai i presidentit Wilson dhe ai i shteteve që fituan Luftën e Parë Botërore, të cilat dëshironin të merrnin gjithçka.

Ishin pikërisht kërkesat e presidentit Wilson që rikonfirmuan krijimin e shtetit shqiptar.

“Kjo miqësi ka rrënjë, ka një arsye dhe nuk e dija si amerikan kur shkova në Shqipëri për herë të parë, nuk e dija historinë e Wilsonit dhe marrëdhënien e tij me çështjen shqiptare. Por pastaj kur zbulova dhe tani po zbuloj çdo ditë e më tepër çfarë ka bërë, atëherë e kuptoj që ishte Wilsoni që ka themeluar në menyrë zyrtare këtë miqësi që qëndron tani e 100 vjet më pas. Madje shohim që shqiptarët i japin emrin Wilson djemve të tyre, ka nje arsye dhe është pikërisht puna e Wilson-it në konferencën e paqes.” thotë David Hosaflook, me Institutin për Studime Shqiptaro-Protestante.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, thotë se shqiptarët do të vazhdojnë të nderojnë dhe ndjekin këtë rrugë.

“Besoj që ne duhet mos i harrojmë të gjitha të mirat e miqve tanë, në rend të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsya është shumë e thjeshtë, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me siguri që shteti shqiptar kishte me qenë i mangët e mos të flas që Kosova do të përjetonte tragjedi të shumta, për shkak të gjenocidit të hapur të Serbisë ndaj shqiptarëve.”

Nëse Presidenti Wilson do të shihte sot Kosovën e Shqipërinë, do të ishte krenar thotë avokati amerikan që vizitoi ekspozitën, Robert Higdon.

“Nëse do të arrinim t’ia shpjegojmë presidentit Wilson natyrën e marrëdhenieve dhe punës që po bëjmë sot, mendoj se do të ishte shumë krenar sepse parimet për të cilat ai luftoi janë ato që po i jetojme”, thotë Robert Higdon, me profesion avokat.

Veç ekspozitës, delegacioni shqiptar vizitoi edhe muzeun e Wilsonit në Virxhinia.

Kjo vizitë ndryshe u quajt edhe kthimi i shqiptarëve në SHBA për të shprehur mirënjohjen e tyre për presidentin Wilson dhe Shtetet e Bashkuara, për ndihmën e vazhdueshme.

Vdes Luis Alvarez, detektiv i policisë së Nju Jorkut gjatë 11 shtatorit 2001

Një drejtues i betejës për përfitime shëndetësore të personelit të emergjencës, i cili u përgjigj në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara vdiq sot pas një sëmundje të kancerit.

Detektivi i policisë së qytetit të Nju Jorkut, Luis Alvarez vdiq nga kanceri i zorrës së trashë të shtunën, njoftoi familja e tij në një postim në Facebook.

53-vjeçari Alvarez u paraqit përkrah komedianit amerikan dhe aktivistit politik Jon Stewart përpara një nënkomisioni të drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve më 11 qershor për të apeluar për një zgjatje të Fondit të Kompensimit të Viktimave të 11 Shtatorit.

Në një gjendje të brishtë Alvarez i tha panelit: “Ky fond nuk është një biletë për në parajsë, është që t’i sigurojmë familjet tona me kujdes shëndetësor”. Ai vazhdoi duke thënë: “Të gjithë ju thatë se nuk do ta haronit kurrë. Epo, unë jam këtu për t’u siguruar që nuk e keni harruar”.

Alvarez u diagnostikua me kancer në vitin 2016. Sëmundja e tij u zhvillua në tre muajt që ai kaloi në kërkim të të mbijetuarve në rrënojat toksike të kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë që u shkatërruan nga sulmet terroriste.

Ai u shtrua në një spital në Long Island të Nju Jorkut brenda pak ditësh nga dëshmia e tij në Kongres.

Legjislacioni për të rifinancuar fondin e kompensimit prej 7.3 miliardë dollarësh që siguron përfitime shëndetësore për oficerët e policisë, zjarrfikësit dhe personelin e tjerë të emergjencës u miratua në mënyrë unanime në Kongres.

Qeveria federale e krijoi fondin në vitin 2011 për të kompensuar punonjësit e emergjencave dhe familjet e tyre për vdekje dhe sëmundje që lidhen me ekspozimin ndaj lëndëve toksike.

Presidenti Trump emëron zonjën Yuri Kim si ambasadore në Shqipëri

Presidenti Donald Trump njoftoi synimin për të emëruar zonjën Yuri Kim nga Guami si ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e SHBA në Shqipëri, tha Shtëpia e Bardhë në faqen e saj zyrtare.

Zonja Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.

Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe Ankara.

Ajo mban gradën B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe Master of Philosophy nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet gjuhët koreane, kineze, japoneze dhe turke.

Të emëruarit në postet ambasadoriale duhet të konfirmohen nga Senati.

Dizajneri i iPhone-it largohet nga kompania Apple

Logoja e kompanisë Apple.

Britaniku, Jony Ive, që për më shumë se dy dekada i ka ndihmuar kompanisë Apple të kthehet në emrat më të vlefshëm në botë, ka njoftuar se do të pushojë aktivitetin e tij.

Ai ka dizajnuar pajisjet, iMac, iPod dhe iPhone, mirëpo tani do kontribuojë në kompaninë e tij kreative, LoveFrom.

“Tani më duket se është koha ideale për ta bërë këtë ndryshim”, ka thënë ai.

Shefi i kompanisë, Apple, Tim Cook, ka thënë se roli rigjallërues i Ive “nuk mund të ekzagjerohet”.

Largimi i tij vjen në kohën e ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në gjigantin teknologjik.

Shefja e shitjeve, Angela Ahrendts, është larguar po ashtu në muajin prill dhe investitorët janë të shqetësuar për numrin në rënie të shitjeve.

Presidenti Trump “shaka” me presidentin Putin: Mos u përzieni në zgjedhje

Presidenti amerikan, Donald Trump, i tha të premten presidentit rus, Vladimir Putin, të mos përzihet në zgjedhjet amerikane, një shaka në dritën e skandalit që çoi në hetimet gati dyvjeçare të kontakteve të fushatës së tij me Kremlinin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.

I pyetur nga gazetarët nëse do ta shtrojë këtë çështje gjatë takimit me presidentin Putin, presidenti Trump tha “natyrisht që po”.

Presidenti Trump me pas ju drejtua presidentit rus dy herë duke e treguar me gisht dhe duke i thënë “mos u përziej në zgjedhje”. Presidenti rus, vazhdoi të buzëqeshë derisa po ndiqte përkthimin.

Të dy presidentët vazhduan bisedimet në margjinat e takimit të Grupit 20-të që po mbahet në Osaka të Japonisë, takimi i tyre i parë kokë më kokë që nga takimi kundërthënës i Helsinkit në qershorin e vitit të kaluar.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin të këqija për disa vite dhe u përkeqësuan pasi Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014 dhe mbështeti presidentin sirian Bashar al-Assad në luftën e Sirisë. Në një intervistë të kohëve të fundit, presidenti Putin tha se marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe Washingtonit po bëhen “gjithnjë e më të këqija”.

Nga ana e tij, presidenti Trump ka kërkuar marrëdhënie më të mira me presidentin Putin për të trajtuar një mori çështjesh, duke përfshirë synimin e tij për të frenuar ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut. Të premten, ai theksoi aspektet pozitive.

“Është nder i madh të jem me presidentin Putin”, u tha ai gazetarëve. “Ne kemi shumë gjëra për të diskutuar, përfshirë tregtinë dhe çarmatimet”.

Ata duhej të takoheshin në fund të nëntorit në takimin G20-tës në Buenos Aires, por presidenti Trump anuloi takimin për shkak të kapjes së anijeve dhe marinarëve ukrainas nga forcat ruse. Të dy presidentët zhvilluan takime jozyrtare në atë takim si dhe në një drekë në Paris më herët gjatë nëntorit, derisa po shënohej përvjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Rusia ndodhet nën sanksione ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe kërkon heqjen e tyre.

Kritikët e presidentit Trump e kanë akuzuar atë se është shumë miqësor me presidentin Putin dhe e kanë sulmuar atë për dështimin që ta përballë publikisht udhëheqësin rus në Helsinki lidhur me përzierjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikanë të vitit 2016. za

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Reuters

Engel thirrje për qetësi: Krizat e përsëritura rreth zgjedhjeve e minojnë ecjen e Shqipërisë përpara

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, u bëri thirrje të gjitha palëve “të qëndrojnë larg konfrontimit, të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të ndalojnë të gjitha aktet e dhunës.”

Në një deklaratë, zoti Engel shprehu shqetësim për gjendjen e tensionuar në Shqipëri, ku siç tha ai, udhëheqësit politikë duket se kanë arritur një “rrugë pa krye”.

“Kjo mosmarrëveshje, thotë ai, mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe në bazë të sundimit të ligjit.”

“Shqipëria, – thuhet në deklaratë, – është anëtare e NATO-s dhe meriton një të ardhme evropiane, por krizat e përsëritura rreth zgjedhjeve e minojnë ecjen e saj përpara.” za

San Francisko ndalon shitjet e cigareve elektronike

San Francisco

San Francisco u bë qyteti i parë i SHBA-së që ndalon shitjen e cigareve elektronike, deri sa nuk sqarohet efekti i saj ndaj shëndetit të njeriut.

Sipas BBC, zyrtarët në San Francisko votuan për ndalimin e shitjes së duhanit me avull në shitore, por edhe shpërndarjen e aparateve që shiten përmes internetit.

Pikërisht në qytetin e Kalifornisë ndodhet selia e “Juula Labs”, prodhuesit më të njohur të e-cigareve në SHBA.

Kompania thotë se për shkak të një vendimi të tillë shumë duhanpirës do t’u kthehen cigareve dhe të krijojnë “treg të zi”.

Kryebashkiakja e San Franciskos, London Breen ka 10 ditë afat për të nënshkruar ligjin, të cilin ka paralajmëruar se do ta nënshkruaj. Ligji do të hyjë në fuqi pas shtatë muajsh.

Aktivistët që janë kundër përdorimit të e-cigareve thonë se prodhuesit si target kanë të rinjtë të cilëve u ofrojnë shije të ndryshme dhe se mund t’i shtyjnë të kalojnë në cigare të vërteta.

Sipas të dhënave të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vitin e kaluar numri i adoleshentëve që pranuan se përdorin produkte të nikotinës është rritur për 36 për qind, që lidhet me rritjen e cigareve elektronike. aa

Veterani i parë i gjallë nga lufta e Irakut e fiton medaljen e nderit për trimëri

Carla Babb

Veterani i parë i gjallë nga lufta e Irakut fiton medaljen e nderit për trimëri në Falluxha

Medalja e nderit është çmimi më i lartë ushtarak në Shtetet e Bashkuara, për kurajo në betejë. Shumë pjesëtarë të ushtrisë amerikanë që humbën jetën në luftën e Irakut u nderuan me kë çmim. Të martën, për të parën herë, Presidenti Turmp ndau medaljen e nderit për një veteran të gjallë të konfliktit të Irakut. Ishte 10 nëntori i vitit 2004, kur rreshter David Bellvia, në atë kohë 29 vjeçar, rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar shokët në një shtëpi të braktisur në zemër të Falluxhas.

Janë pamje nga beteja e dytë në Falluxha, njëra nga betejat më të përgjakshme të luftës së Irakut. Toga e rreshterit Bellavia kishte gjurmuar disa armiq në 12 shtëpi të barktisura.

“Kur e bën planin në letër, duket i mirë. Por pastaj ndodhin gjëra dhe bëhet kaos.”

Një pritë e armiqve në shtëpinë e dhjetë, e bllokoi skuadrën brenda.

“Kisha ngecur në një mënyrë që nuk arrija të lëvizja, unë bashkë me disa tjerë.”

Rreshteri Bellavia doli para zjarrit, për të mbrojtur shokët dhe atë që mbante kamerën, gazetarin Michael Ware.

“Kam parë qindra heronj amerikanë në uniformë duke treguar trimëri të pabesueshme, duke rrezikuar jetët për gjëra të jashtëzakonshme. Por David ishte i dalluar.”

Jo vetëm për rrezikimin e jetës së tij.

“E dinim se dikush duhej të kthehej pas. Dhe unë e kam parë David-in kur vendosi që të shkonte ai.”

“Dhe pastaj ai u kthye në atë shtëpi të errët të vdekjes. Mund të dëgjoni tmerrin.”

“Nuk e dija ku ndodheshin ata, ishte shumë errët. Nuk mund të dëgjosh. Shqisa e vetme që funksiononte është ajo e besimit.”

Teksa ngjiste shkallët dhe luftonte, rreshteri Bellavie vërejti diçka të tmnerrshme.

“Ai kishte një raketë, që donte ta shpërthente. Të gjithë do të vdisnim”

Ai ia doli ta mposhtë atë dhe katër luftëtarë tjerë, njërin nga ta në një përballje dorë më dorë në një dhomë plot eksploziv.

Pas 15 vitesh, rreshterit Bellavie iu dha çmimi më i lartë ushtarak për trimëri në komb.

“Unë po nderohem për këtë. Por unë kam shërbyer me shokë që çdo ditë rrezikuan jetët e tyre duke më shpëtuar timen. Kështuqë ishte radha ime.”

Tani, me medaljen e nderit, është radha e atdheut për të thënë faleminderit.

Robert Mueller do të dëshmojë hapur në Kongres

Prokurori i posaçëm, Robert Mueller, është pajtuar të dëshmojë hapur para Komisionit Juridik dhe atij të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve muajin e ardhshëm.

Kryetarët e të dy komisioneve, Jerrold Nadler dhe Adam Schiff, njoftuan përmes një letre të martën vonë, se prokurori Mueller do të paraqitet me 17 korrik dhe se ata dhe të gjithë amerikanët mezi po presin të dëgjojnë prej tij.

Robert Mueller udhëhoqi një hetim pothuajse dy vjeçar mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe pretendimet se presidenti, Donald Trump, pengoi drejtësinë duke u përpjekur të mbyllë hetimin.

Ai publikoi një raport, një version i redaktuar i të cilit u bë publik në muajin prill, që përfundoi se fushata e presidentit Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë gjatë zgjedhjeve, por nuk arriti të sillte një përfundim në lidhje me pengimin e drejtësisë.

Presidenti Trump ishte shume kritik ndaj procesit, duke i cilësuar hetimet vazhdimisht si “ndjekje shtrigash”. Ai reagoi shkurt pas njoftimit të së martës në rrjetin twiiter duke shkruar “keqtrajtim i presidentit”.

Komentet e vetme të prokurorit Mueller deri tash u bënë në një konferencë me gazetarë në muajin maj, gjatë së cilës ai lexoi një deklaratë të përgatitur që më parë dhe nuk pranoi asnjë pyetje.

Ligjvënësit Nadler dhe Schiff kishin lëshuar fletëthirrje që kërkonin detyrimin e prokurorit Mueller që të dëshmojë, duke shpjeguar se ndërsa ata vënë në dukje dëshirën e prokurorit të posaçëm që është i mjaftueshëm raporti i tij me shkrim, publiku meriton të dëgjojë drejtpërdrejt jo vetëm për përfundimet e tij, por edhe për vet hetimet.

“Amerikanët kanë kërkuar të dëgjojnë drejtpërdrejt nga prokurori i posaçëm, në mënyrë që të mund të kuptojnë atë që ai dhe ekipi i tij hetuan, zbuluan dhe vendosën rreth sulmit të Rusisë në demokracinë tonë, pranimin dhe përdorimin e kësaj ndihme nga ana e presidentit Trump dhe pengimin e hetimit të sulmit nga presidentit Trump dhe bashkëpunëtorët e tij”, shkruan në letrën e tyre ligjvënësit Nadler dhe Schiff.

Demokratët kanë kërkuar jo vetëm publikimin e më shumë informacioneve nga raporti i zotit Mueller, por kanë vazhduar të kërkojnë dëshmi nga Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e fushatës së presidentit Trump, për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe në pjesën e parë të mandatit të presidentit. Republikanët i kanë kritikuar hetimet duke theksuar se Kongresi duhet të ecë përpara.

Ligjvënësi, Doug Collins, përfaqësuesi kryesor në Komisionin Juridik, tha se shpreson që paraqitja e prokurorit Mueller “do t’i jap fund lojës politike të demokratëve të këtij komisioni në kurriz të taksapaguesve”.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, mirëpriti gatishmërinë e zotit Mueller për të dëshmuar, duke vënë theksin tek shqetësimet për zgjedhjet e ardhshme dhe duke nënvizuar se “është detyrë patriotike e ligjvënësve që të ndjekin faktet, në mënyrë që të mbrojmë demokracinë tonë”.

“Raporti i zoti Mueller zbuloi se rusët zhvilluan një sulm ‘gjithëpërfshirës dhe sistematik’ ndaj zgjedhjeve tona dhe zyrtarët më të lartë amerikanë të zbulimit dhe të zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar se rusët do të sulmojnë përsëri zgjedhjet tona,” tha ajo në një deklaratë. “Megjithatë, fatkeqësisht presidenti e quan atë një rreng dhe sugjeron se ai do të mirëpriste ndërhyrjen ruse përsëri.”

Nipi Zach Gershman: Norman ra në dashuri me Shqipërinë dhe “Besën” shqiptare

es, nipi i producentit dhe fotografit të famshëm amerikano-hebre, Norman Gershman, autor i dokumentarit “BESA – THE PROMISE”, tha për gazetën online “Izraeli Sot”, se gjyshi i tij “ra në dashuri më Shqipërinë dhe shqiptarët”, qysh në momentin e parë ku ai dëgjoi për historitë e pabesueshme të shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.

 

 

“Puna e Norman në Shqipëri përcakton trashëgiminë e tij. Ai me të vërtetë besonte se njerëzimi ynë, të gjithë ne, do të triumfonim mbi fanatizmin dhe urrejtjen. “Besa” ilustron këtë besim. “Njerëzit e Drejtë” (titull që jepet nga Yad Vashem) që ai ka fotografuar në Shqipëri, dhe historitë e tyre, jetojnë tek ekspozita ‘Norman’ dhe në zemrat tona”, tha Zach për “Izraeli Sot” në një komunikim nga Shtetet e Bashkuara.

 

 

Norman Gershman është autor i dokumentarit “BESA – THE PROMISE”, përmes të cilit bota njohu kontributin e madh të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Norman Gershman kishte vizituar Muzeun e Holokaustit në Uashington dhe kishte vënë re një hapësirë të vogël të bardhë në hartën e Evropës, ku dukej se hebrenjtë nuk ishin persekutuar.

I magjepsur nga kjo histori, Gershman erdhi në Tiranë për të dokumentuar historinë e patreguar të burrave dhe grave që kishin shpëtuar jetët e pothuajse 2,000 hebrenjve të cilët kishin mbërritur në Shqipëri gjatë luftës për t’i shpëtuar persekutimit.

 

 

“Norman me të vërtetë e ndryshoi botën. Jeta dhe puna e tij preku mijëra, dhe madje edhe në miratimin e tij, unë ende po zbuloj ndikimin që kishte. Ai gjithmonë e pa të mirën në gjithçka dhe kërkoi të ndriçonte atë mirësi të lindur përmes fotografisë së tij. Ai bëri shenjën e tij në botë, në miqtë dhe familjen e tij, dhe në nipin e tij më të madh. Ne do ta ndjejmë mungesën e tij”, theksoi Zach Norman.

Norman Gershman erdhi në Shqipëri dhe u ndihmua maksimalisht nga kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Izrael, Prof.Dr. Pertit Zorba dhe ish-Konsulli i Nderit të Izraelit në Shqipëri (në atë kohë), Dr. Bardhyl Canaj, aktualisht Ambasador i Shqipërisë në Izrael.

SHBA, shpërthimi i fruthit, situata më e keqe prej rreth 30 vitesh

Javën e kaluar u njoftuan tridhjetë e tre raste të reja të fruthit duke shënuar një total prej 1,077 rastesh aktive brenda Shteteve të Bashkuara. Autoritetet e shëndetësisë thonë se ky ishte shpërthimi më i keq i infeksionit viral që prej vitit 1992 kur u regjistruan 2,126 raste.

Rreth 30 shtete kanë raportuar raste të prekjes nga fruthi. Në fund të majit distrikti i Rockland-it në Nju Jork shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të shpërthimit të fruthit në komunitetin hebre ultra-ortodoks.

Në vitin 2000 autoritet shpallën se fruthi ishte zhdukur brenda SHBA-së, ose katër dekada pasi e kishin vendosur si objektv eleminimin e tij. Një sëmundje konsiderohet se është eliminuar kur kalon një vit i plotë pa transmetime aktive. Nëse deri në tetor 2019, përhapja e sëmundjes nuk do të vendoset nën kontroll, Shtetet e Bashkuara do ta humbasin statusin e vendit ku infesksioni viral rezulton të jetë eliminuar.

Humbja e këtij statusi do të ishte një goditje e fortë për kombin dhe do të zhbënte punën e madhe në të gjitha nivelet e shëndetit publik“, thuhej në një deklaratë për shtyp të muajit të kaluar të Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC). “Përpara përdorimit të gjerë të vaksinës së fruthit, çdo vit rreth 3 deri në 4 milionë persona janë prekur nga fruthi në Shtetet e Bashkuara, me rreth 400 deri në 500 raste vdekjesh dhe 48 mijë raste trajtimi spitalor”.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve shumica e rasteve po përhapen nga fëmijët e moshës shkollore të pavaksinuar. Komunitetet me një shkallë të ulët vaksinimi krijojnë shanse që sëmundja të përhapet me lehtësi.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raportoi se udhëtimi drejt vendeve ku rastet e fruthit ndeshen rëndom, veçanërisht në Ukrainë, Izrael e Filipine ka kontribuar gjithashtu në përhapjen e sëmundjes në SHBA.

Presidenti Trump nënshkruan urdhër ekzekutiv për sanksione të reja ndaj Iranit

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, në përpjekje për të shtuar presionin ndaj ekonomisë iraniane, me synimin që Teherani të ndryshojë sjellje.

Ky veprim vjen ndërsa po shtohen shqetësimet rreth mundësisë së një konfrontimi të armatosur mes të dy vendeve, pasi zyrtarët amerikanë kohët e fundit fajësuan Teheranin për sulmet ndaj dy cisternave me naftë në ngushticën e Hormuzit. Irani i mohon këto akuza, ashtu sikurse edhe rrëzimin nga Irani të një droni amerikan javën e kaluar.

Presidenti Trump tha të enjten se e kishte anuluar një sulm hakmarrës kundër disa objektivave iraniane. Por të enjten, sipas njoftimit të mediave amerikane, zoti Trump miratoi gjithashtu sulmet e Komandës amerikane të Kibernetikës ndaj sistemeve kompjuterike të një grupi iranian të zbulimit, që përdoreshin për të kontrolluar hedhjen e raketave.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo i quajti masat e reja ndaj Iranit “të rëndësishme”, por nuk pranoi të jepte detaje specifike për gazetarët, para njoftimit zyrtar të sanksioneve.

Ai i bëri këto komente para se të fillonte një udhëtim në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në vijim të përpjekjeve të administratës Trump për të ndërtuar një koalicion aleatësh për t’iu kundërvënë Iranit. Sekretari Pompeo u takua të hënën me Mbretin saudit Salman dhe me princin e kurorës Mohammed bin Salman.

“Bota duhet ta dijë se ne do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë se me përpjekjen që kemi ndërmarrë për t’i mohuar Iranit burimet për të ushqyer terrorin, për të ndërtuar sistemin e tyre të armëve bërthamore, për të ndërtuar programin e raketave, ne do t’ia mohojmë burimet që u duhen, duke mbrojtur kështu interesat amerikane dhe të amerikanëve në gjithë botën”, – tha zoti Pompeo.

Irani ka mohuar se po punon për të prodhuar armë bërthamore dhe nënshkroi një marrëveshje në vitin 2015 me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë për të zbutur shqetësimet, duke kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por marrëdhëniet SHBA-Iran janë keqësuar gjatë mandatit të Presidentit Donald Trump, veçanërisht që kur mori vendimin vitin e kaluar që të tërhiqej nga marrëveshja bërthamore dhe për vendosjen e sanksioneve të reja.

Megjithëse Presidenti Trump u tërhoq nga kundërpërgjigjia ushtarake, për shkak të rrezikut të numrit të lartë të viktimave që do të kishte shkaktuar, siç tha ai, paralajmërimet ndaj Iranit vazhduan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se përmbajtja amerikane nuk duhet të keqkuptohet si dobësi.

“Askush nuk i ka dhënë Iranit liçencë gjuetie në Lindjen e Mesme. Siç tha Presidenti Trump, ushtria jonë është e rindërtuar, e re dhe absolutisht më e mira në botë”, tha zoti Bolton.

Por ish-shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Mike Mullen shprehu shqetësim.

“Shqetësimi im më i madh është se presidentit po i mbarojnë alternativat. Dhe duke pasur parasysh se vazhdon retorika dhe se ishim aq pranë goditjes së Iranit, situata mund të dalë jashtë kontrollit. Lufta me Iranin është gjëja e fundit që na duhet në këtë moment”, – tha ai.

Megjithëse po vendos sanksione, Presidenti Trump thotë se mezi pret që të vijë koha kur ato të hiqen. za


Send this to a friend