VOAL

VOAL

Forcohet uragani Dorian, godet ishujt Bahamas

Uragani Dorian është intensifikuar në stuhi të kategorisë së rrezikshme 5 duke iu afruar sot ishujve Bahamas.

Ai pritet t’i godasë këta ishuj me deri dy ditë rreshje shiu të dendur, dallgë të larta dhe erëra të rrezikshme përpara se t’i drejtohet territorit të SHBA.

Qendra Kombëtare e Uraganëve me qendër në Majemi tha Dorian po sjell erëra me shpejtësi maksimale prej 260 km në orë.

Pasi të jetë vërtitur mbi ishujt Bahamas, uragani pritet të devijojë drejt veriperëndimit dhe mund të mos e godasë drejtpërsëdrejti Floridën.

Komunitetet më në veri, në Georgia dhe Karolinën e Jugut e ngritën nivelin e alarmit për banorët, të cilët po përgatiten, duke mbushur thasë me rërë, ndërkohë që autoritetet po testojnë infrastrukturën.

Megjithëse uragani Dorian duket se ua kurseu Shteteve të Bashkuara një goditje të drejtpërdrejtë, zyrtarët thonë se një stuhi e kësaj kategorie mund të sjellë mjaft dëme në Florida dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut. za

Goditet me thikë vrasësi i Robert Kenedit

Personi që vrau Robert Kenedin mëse gjysmë shekulli më parë u gjet i qëlluar me thikë në një burg të Kalifornisë.

Autoritetet e identifikuan viktimën si Sirhan Sirhan, i cili ka qenë në burg për më shumë se 50 vjet për vrasjen e Kennedit gjatë garave presidenciale në vitin 1968.

Autoritetet thanë se personi i qëlluar me thikë ndodhet në spital dhe është në gjendje të qëndrueshme.

Sirhan, i cili është 75 vjeç, e qëlloi Kenedin në kuzhinën e Hotelit Ambasador në Los Angeles, menjëherë pasi politikani shpalli fitoren në zgjedhjet paraprake presidenciale të demokratëve në shtetin e Kalifornisë. Kenedi vdiq të nesërmen.

Sirhan Sirhan u shpall fajtor për vrasjen, por dënimi i tij me vdekje u ndryshua më vonë në burgim të përjetshëm. za

Uragani Dorian i afrohet Floridës – presidenti Trump anulon udhëtimin në Poloni

“Dita e Punës” nuk do të jetë ditë kremteje për Floridën, nëse uragani Dorian ndjek rrugën e parashikuar të tij.

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha të enjten vonë se Doriani pritet të shndërrohet në uragan të madh në premten dhe do të mbetet “i rrezikshëm” përgjatë fundjavës derisa është duke thithur ujërat e ngrohta të Atlantikut.

Ai u shndërrua në uragan të kategorisë së dytë me erëra të forta që arrijnë në 165 kilometra në orë.

Meteorologët parashohin që Doriani mund të godas Floridën Juglindore të hënën si uragan i kategorisë së katërt me erëra deri në 209 kilometra në orë.

Stuhitë e kategorisë së katërtë kanë fuqi të shkaktojnë dëme që ekspertët i quajnë katastrofike, si shkatërrimin e shtëpive dhe dyqaneve, copëtimin e rrugëve dhe rrëzimin e drunjve dhe linjave të energjisë.

Guvernatori Ron DeSantis e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tërë shtetin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, anuloi udhëtimin e planifikuar në Poloni për “t’u siguruar se të gjitha burimet federale janë të përqendruara në stuhinë e pritshme… Është shumë e rëndësishme për mua që të jem këtu”, tha presidenti Trump.

Nënpresidenti Pence në vend të presidentit Trump në Poloni

Presidenti amerikan Donald Trump, pritej të udhëtonte në Varshavë, për të marrë pjesë në shënimin e 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 1 shtator të vitit 1939 Gjermania naziste pushtoi Poloninë dhe përgjatë luftës atje u vranë 6 milionë qytetarë polakë, pjesa më e madhe hebrenj.

Në ceremonitë përkujtimore më 1 shtator në Varshavë do të shkojë nënpresidenti amerikan Mike Pence.

Banorëve përgjatë bregut të Atlantikut ne Florida u është thënë që të jenë të gatshëm evakuimin e mundshëm. Ata po mbushin rezervuarët e makinave dhe po grumbullojnë rezerva ushqimore, ujë dhe pajisje emergjente.

Meteorologët presin që uragani të lëvizë drejt Bahamas veriperëndimore të shtunën.

Dorian shkaktoi disa përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në dy ishuj të Porto Riko por nuk shkaktoi dëme të mëdha.

Uashington: Gazetari i dytë padit në gjykatë administratën Trump

Pezullimi këtë muaj nga Shtëpia e Bardhë të akreditimit të një gazetari, po kritikohet nga mbrojtësit e lirisë së shtypit. Ata thonë se ky është një shembull i përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të heshtur gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, pezulloi për 30 ditë kredencialet e korrespondentit të revistës Playboy, njëkohësisht edhe analist i kanalit CNN, Brian Karem. Masa u mor pasi në përfundim të një takimi për mediat sociale, zoti Karem u përfshi në një shkëmbim me tone të larta me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Sebastian Gorka, i cili drejton një emision radiofonik.

Ky është rasti i dytë që Shtëpia e Bardhë tërheq akreditimin e një korrespondenti, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të denigrojë organet mediatike duke i quajtur ato “fake news” dhe “armiq të popullit”, duke inkurajuar kështu edhe mosbesimin tek mediat.

Nëntorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e pazakontë për epokën moderne, të heqjes së kredencialeve për korrespondentin e kanalit CNN, Jim Acosta, vetëm pak orë pasi ai pati një shkëmbim sfidues me Presidentin Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Pasi kanali CNN paditi në gjykatë administratën Trump, një gjykatës federal urdhëroi rikthimin e kredencialeve të shtypit për zotin Acosta, duke vendosur se pezullimi kishte shkelur të drejtën e tij për një proces të rregullt.

Tashmë, zoti Karem ka paditur Presidentin Trump dhe zëdhënësen Grisham, për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, dhe i kërkoi gjykatës federale në Uashington që t’i rikthejë kredencialet e tij të akreditimit. Gjykatësi Rudolph Contreras, shprehu pakënaqësinë e tij për sjelljen e zotit Karem, por edhe për standartet e Shtëpisë së Bardhë për heqjen e kredencialeve të tij. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën, Gjykatësi tha se do të jepte një vendim ndoshta që ditën e premte.

“Siç provoi ky rast, natyra e gazetarisë ka ndryshuar shumë”, tha Gjykatësi Contreras. “Po përpiqem të kuptoj se ku ndodhet kufiri”.

Ndërkaq, juristët e Departamentit të Drejtësisë që përfaqësonin Shtëpinë e Bardhë i quajtën e veprimet e zotit Karem “qartësisht të papranueshme” dhe mbrojtën procedurën e ndjekur për heqjen e akreditimit të tij si “transparente, të mirëmenduar dhe të kujdesshme”. Gazetari veteran tha se ishte piketuar nga Shtëpia e Bardhë për shkak të mbulimit të tij kritik të administratës dhe pyetjeve të hapura për Presidentin Trump.

“Ata vetëm duan të më ndëshkojnë”, tha zoti Karem në një intervistë për Zërin e Amerikës. “Duan të më ndëshkojnë pasi nuk u pëlqejnë ato që unë shkruaj. Që nga fillimi i kësaj administrate unë kam shkruar mbi 100 artikuj dhe i kam drejtuar pyetje shumë të drejtpërdrejta Presidentit. Nuk mendoj se i pëlqejnë pyetjet e mprehta dhe nuk mendoj se atij dhe stafit të tij i pëlqejnë artikujt e mi”.

Nora Benavidez, drejtore për programet për shprehjen e lirë në SHBA, në organizatën PEN America, gjithashtu po e padit administratën Trump dhe paraqiti këtë javë një raport në mbrojtje të padisë së zotit Karem. Ajo thotë se pezullimi i kredencialeve është pasqyrë e trajtimit nga Shtëpia e Bardhë të zërave disidentë.

“Është një shembull i përpjekjeve për të vendosur në objektiv gazetarët që i drejtojnë pyetje të vështira Shtëpisë së Bardhë dhe që janë ndoshta kërkues dhe që dëshirojnë ta mbulojnë Shtëpinë e Bardhë në mënyra që nuk i pëlqejnë Presidentit”, thotë zonja Benavidez. “Ky vetë është diskriminim dhe shkelje e Amendamentit të Parë”.

Shtëpia e Bardhë i refuzon këto akuza.

“Realiteti është se trupa e gazetarëve e Shtëpisë së Bardhë është e përbërë nga gazetarë që drejtojnë pyetje agresive Presidentit dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë; një pjesë e mirë e tyre janë jashtëzakonisht kritikë ndaj Presidentit dhe politikave të tij”, shkruhet në dokumentin e juristëve të Departamentit të Drejtësisë, në përgjigje të padisë së zotit Karem, e cila u paraqit në datën 20 gusht.

58-vjeçari Brian Karem është një gazetar me eksperiencë i medias së shkruar dhe asaj televizive, një aktivist i vetëdeklaruar i Amendamentit të Parë, i cili ka bërë edhe burg për shkak se refuzoi të zbulonte burimin e të dhënave konfidenciale. Gjatë dy viteve që ka punuar si korrespondent i Shtëpisë së Bardhë për revistën Playboy, ai është shndërruar në një figurë të debatueshme në trupën e gazetarëve, i lavdëruar nga mbështetësit për drejtimin e pyetjeve hulumtuese Presidentit Trump dhe zyrtarëve të administratës, ashtu siç edhe kritikohet nga të tjerë për stilin e tij të tepruar agresiv. za

Berberi i presidentëve (video)

Prej më shumë se 50 vjetësh një berber në Uashington ushtron profesionin e tij duke u bërë disi një legjendë. Popullariteti që ka fituar e ka bërë atë të presë flokët e shumë presidentëve amerikanë dhe udhëheqësve botërorë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Iacopo Luzi intervistoi njeriun që e quajnë “Berberi i presidentëve”.

Presidentët Donald Trump, Barack Obama, George Bush dhe Bill Clinton janë disa nga figurat politike që kanë qenë klientë të Diego D’Ambrosios. Ky berber i lindur në Itali ka prerë flokët e më shumë se 46 kryetarëve të shtetesh që nga viti 1968 në Uashington.

Diego thotë se ka qenë privilegj që u ka prerë flokët kaq shumë figurave të rëndësishme politike, por ai thotë se çdo klient është i rëndësishëm.

“Të gjithë janë njësoj. Të gjithë klientët që vijnë këtu, marrin të njëjtin shërbim”.

Në vitin 2010, kryetari i bashkisë së Uashingtonit e riemërtoi rrugën ku ndodhet dyqani i tij. Ajo që më parë ishte rruga Q, tani quhet rruga “Diego D’Ambrosio”.

Klientët vlerësojnë jo vetëm punën e tij për prerjen e flokëve, por edhe përfshirjen e tij në komunitetin lokal.

“Kam ardhur këtu për gati 40 vjet me radhë. Familja e tij është këtu. Vjen dhe të gjithë janë si një familje. Sigurisht që është një stilist i shkëlqyer, kështu që më bën gjithmonë të dukem mirë”, thotë një klient i dyqanit.

Edhe pse Diego ka qenë berber për disa dekada dhe pavarësisht disa kufizimeve shëndetësore, ai nuk ka ndërmend të dalë në pension.

“Dua t’jua them shumë seriozisht: e dua punën time. I dua njerëzit, më pëlqen të shoh njerëz, më pëlqen t’u shërbej njerëzve, dhe kjo funksionon … sepse më paguajnë”, thotë duke qeshur berberi.

Askush në dyqanin e tij nuk e di sa vjeç është ai. Edhe njerëzit që punojnë me të nuk janë të sigurt nëse ai do të dalë ndonjëherë në pension.

“Është nga ata njerëz që nuk ua kupton moshën. Ai duket njësoj”, thotë një ndihmës i tij.

Po cili është sekreti i Diegos?

“Mos mendo asnjëherë që je sëmurë apo i moshuar. Asnjëherë s’e mendoj se jam i moshuar”.

Diego ka në plan t’i mbajë hapur dyert e dyqanit të tij dhe thotë se fjalët “biznes i mbyllur” nuk do të ekzistojnë kurrë në fjalorin e tij.

Departamenti i Drejtësisë: Comey shkeli rregullat e FBI-së

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey shkeli politikat e Byrosë Federale të Hetimeve për mënyrën e përdorimit të memorandumeve që dokumentojnë biseda private me Presidentin Donald Trump në javët para se zoti Comey të shkarkohej, tha të enjten Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë.

Zyra e Inspektorit tha se zoti Comey shkeli rregullat e FBI-së duke i dhënë një memorandum që përmbante informacione josekrete një miku me udhëzime për ta ndarë përmbajtjen me një gazetar. Zoti Comey gjithashtu nuk e njoftoi FBI-në pasi ai u pushua nga puna, se kishte mbajtur disa memorandume në një kasafortë në shtëpi.

Zoti Comey kishte mbajtur shënime në lidhje me bisedat me zotin Trump që ai tha se e kishin shqetësuar. Ai ka thënë se donte të kishte shënime me shkrim për bisedat sepse ishte i shqetësuar se Presidenti Trump më vonë mund të gënjente për to, dhe se ai dëshironte të bënte publike përmbajtjen e një prej dokumentave me shpresën se do të nxiste emërimin e një prokurori të posaçëm që të drejtonte një hetim të FBI-së për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së zotit Trump.

Departamenti ka vendosur që të mos e ndjekë penalisht zotin Comey për këtë çështje.

Avokatët e zotit Comey nuk u janë përgjigjur ende kërkesave për koment, por vetë ish-drejtori i FBI-së vuri në dukje në Twitter se Inspektori i Përgjithshëm nuk gjeti prova që ai kishin ndarë ndonjë informacion sekret me median.

“ Unë nuk kam nevojë për një falje publike nga ata që shpifën për mua, por një mesazh me një ndjesë që gënjyen për mua, do të ishte e përshtatshme”. shkroi ai.

SHBA, sot, Dita e Barazisë së Grave

Alice Paul

Dita e Barazisë së Grave, që shënohet çdo 26 gusht, përkujton miratimin e amendamentit të 19 të kushtetutës amerikane në vitin 1920, që u dha grave të drejtën e votës.

Ky hap historik, megjithatë, nuk do të ishte i mundur pa lëvizjen e grave për votën. Ndër udhëheqëset e kësaj lëvizjeje ishte Alice Paul, më e madhja ndër katër fëmijët e familjes së saj të pasur dhe me bindje të majta.

Dukej qartë se ajo ishte përgatitur qysh e vogël nga prindërit për arritjen e kësaj ëndrre. Nëna e saj, Tacie Parry Paul, ishte aktiviste për të drejtën e votës së grave që e sillte të bijën në mbledhjet që bënte lëvizja për këtë qëllim.

Alice Paul ndoqi kolegjin Swarthmore në Pensilvani, e themeluar nga gjyshi i saj, dhe u diplomua për biologji në vitin 1905. Ajo mori gjithashtu një master në sociologji dhe më vonë shkoi në Angli për studime në sferën e punën sociale.

Gjatë gjithë studimeve, ajo mbeti një mbështetëse e përkushtuar e së drejtës së grave për të votuar.

Ndërsa ishte në Londër, ajo mësoi taktikat e protestave, si bllokimin e punës dhe grevat e urisë, të cilat ajo përdori pas kthimit në Shtetet e Bashkuara. Demonstrimi i saj i parë dhe më i madhi, ishte në Uashington, D.C., më 3 mars 1913, një ditë para inaugurimit të Presidentit Woodrow Wilson.

Rreth 8 000 gra marshuan në Bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit u hidhnin rromuze dhe i vinin në lojë. Katër vjet më vonë, pasi nuk arritën ta bindnin Presidentin Wilson për nevojën e ndryshimit të kushtetutës, Alice Paul dhe më shumë se 1.000 të tjera filluan një grevë 18 mujore rreth Shtëpisë së Bardhë. Atë e ngacmonin, e sulmonin dhe madje e burgosën për shtatë muaj rresht.

Edhe pse në vitin 1918 Presidenti Wilson kishte njoftuar mbështetjen e tij për çështjen e votimit të grave, u deshën edhe dy vjet që Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe 36 shtete të ratifikonin amendimin e Kushtetutës.

Alice Paul nuk u ndal në suksesin e arritur. Ajo vazhdoi punën dhe në vitin 1923 hartoi amendamentin për të Drejtat e Barabarta, i cili bënte thirrje për barazi absolute. Aty thuhej se “Burrat dhe gratë gëzojnë të drejta të barabarta në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në çdo hapësirë që i nënshtrohet juridiksionit të tyre.”

Përkrahësit e saj e propozuan amendamentin në çdo seancë Kongresi midis viteve 1923 dhe 1972, por ai kurrë nuk u miratua. Më në fund, në vitin 1972 dy dhomat e Kongresit e miratuan ndryshimin. U caktua një afat shtatë vjeçar për ratifikimin nga tre të katërtat e 50 shteteve. Por deri në vitin 1982 kur ishte edhe afati, mungonin tre shtete nga 38 të nevojshme që kjo të bëhej amandament kushtetues.

Amendamenti nuk u ratifkua kurrë. Pavarësisht kësaj, gratë në Amerikë vazhdojnë të bëjnë presion për barazi përpara ligjit. za

A e njihni Rubén Díaz Jr. ? A e dini se në Bronx një rrugë e mban emrin e Nënë Terezës ?!

Voal.ch – Rubén Díaz Jr., Kryetari i Bashkisë të Bronx në New York, me një popullsi prej gati 1.5 milionë banorë, një personalitet shumë i suksesshëm, i zgjedhur për 3 mandate rresht kujtoi dje ditëlindjen e Nënë Terezës, duke e shpallur 26 gushtin 2019 në Bronx si ditën e Nënë Terezës. Në një status në rrjetin social ai shkruan si më poshtë:

“Dhjetë vjet më parë, pata nderin të riemërtoja një bllok të Avenue Lydig midis Holland Avenue dhe Wallace Avenue, si  “Mother Teresa Way” – “Rruga Nëna Tereza”, duke përkujtuar vizitën e saj të vitit 1977 në manastirin e Bronksit të Motrave të Bamirësisë, si dhe të nderoja rrënjët e saj shqiptare.

Sot, ne jemi duke nderuar dhe festuar trashëgiminë humanitare të kësaj Fituesje Të Çmimit Nobel të Paqes, duke rikujtuar e festuar ditën e lindjes të Nënë Terezës dhe duke e shpallur 26 Gushtin 2019 në Bronx si Ditën e Nënë Terezës”!

Emërtimi u bë me nismën e z. Esad A. Rizai, Kryetar i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, një figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan.

Shqiptarët e Bronx dhe gjithë shqiptarët kudo që janë i shprehin mirënjohjen Rubén Díaz Jr.kryetarit të Bashkisë të Bronx të New Yorkut.

A nuk duhet të reflektojmë ne shqiptarët si komb, kur Bota e Qyterëruar e nderon Nënë Terezën, ne çfarë na takon të bëjmë ?

 

Zgjedhjet 2020, ish-ligjvënësi republikan sfidon Presidentin Trump

Joe Walsh, ish-ligjvënës nga Illinois dhe tashmë drejtues i një emisioni radioje, njoftoi të dielën se do të sfidojë Presidentin Donald Trump për nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

57-vjeçari Walsh shërbeu për një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve dhe humbi garën e rizgjedhjes në vitin 2012. Ai e njoftoi kandidaturën e tij gjatë emisionit “This week” të kanalit ABC News.

“Po kandidoj pasi ai është i papërshtatshëm”, tha zoti Walsh për Presidentin Trump, duke e përshkruar atë si “të paaftë”, “fanatik” dhe “narcisist”, epitete të përdorura shpesh nga demokratët ndaj Presidentit Trump, i cili kërkon një mandat të dytë katërvjeçar.

“Dikush duhet të ngrihet dhe duhet të ekzistojë një alternativë”, tha zoti Walsh.

Niveli i miratimit të Presidentin Trump në anketime vazhdon të jetë në kuotën e 40%-shit, por ai gëzon mbështetje të dyfishuar në radhët e republikanëve, të cilët vazhdojnë të miratojnë periudhën e tij në detyrë prej 2 vitesh e gjysëm.

Rreth 24 demokratë konkurojnë për të marrë nominimin e partisë së tyre për t’iu kundërvënë Presidentit Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit 2020, ndërkohë që zoti Walsh është vetëm republikani i dytë që kërkon t’i marrë Presidentit nominimin republikan. Ish-guvernatori i Masaçusetsit, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij në muajin prill, por ka marrë mbështetje të vogël.

Zoti Walsh tha për Presidentin Trump: “Vendi është i lodhur nga inatosjet e këtij njeriu; ai është një fëmijë”. Zoti Walsh, i cili është si Presidenti Trump mbështetës i vijës së ashpër për emigracionin, tha se do ta sfidojë me pikëpamje konservatore dhe mbi baza morale. za

Presidenti Trump nuk do të shkurtojë ndihmat për vendet e huaja

Presidenti Donald Trump ka hequr dorë nga beteja me Kongresin lidhur me shkurtimin e 4 miliardë dollarëve të ndihmave për vendet e huaja dhe do të lejojë përdorimin e fondeve të caktuara për këtë qëllim. Por, Departamenti i Shtetit thotë se ka rënë dakord me Shtëpinë e Bardhë për të ndryshuar destinacionin e fondeve që nuk mbështesin drejtpërdrejt përparësitë e qeverisë amerikane. Njofton korespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine.

Presidenti Trump ka shprehur rezerva për ndihmat amerikane ndaj vendeve të huaja duke i quajtur ato të kota dhe të panevojshme, dhe se do të shqyrtojë një propozim për ndaluar financimin e tyre.

“U japim miliarda dollarë vendeve që nuk na duan aspak. Unë jam duke e shkurtuar këtë ndihmë.”

Por pasi ligjvënësit demokratë dhe republikanë kundërshtuan përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë, administrata u tërhoq.

Disa ekspertë pajtohen me presidentin se jo të gjitha fondet amerikane për organizatat ndërkombëtare dhe vendet e huaja shpenzohen ashtu si duhet. Por ata e kundërshtojnë propozimin për shkurtimin e të gjitha ndihmave pa justifikim. Brett Schaefer është me Fondacionin Heritage.

“Nëse shpresojnë që ato para të përdoren apo të caktohen më mirë në të ardhmen, ata duhet të ofrojnë arsyetim bindës për Departamentin e Shtetit, agjencinë e ndihmave dhe ligjvënësit amerikanë.”

Ekspertë të tjerë dhe organizata ndërkombëtare të zhvillimit e mirëpritën vendimin për heqjen dorë nga shkurtimet si një fitore të madhe. Paula Garcia Tufro është me Këshillin e Atlantikut.

“Është një fitore e madhe për Shtetet e Bashkaura dhe interesat e tyre, pasi ishte një përpjekje dritë-shkurtër për të politizuar ndihmën për vendet e huaja nën preteksin e shkurtimit të defiçitit, kur faktikisht ndihmat e huaja janë më pak se një përqind e buxhetit federal.”

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo është shprehur publikisht në pajtim me presidentin që çdo dollar i taksapaguesve amerikanë duhet shpenzuar me kujdes për të reflektuar përparësitë amerikane. Nën drejtimin e presidentit, Departamenti i Shtetit ka ngrirë ndihmat për El Salvadorin, Guatemalën dhe Hondurasin, duke thënë se këto vende nuk po ndërmarrin hapa konkretë për të ulur numrin e emigrantëve të paligjshëm që vijnë në kufirin amerikan.

Vdes miliarderi amerikan David Koch

Miliarderi David Koch, një forcë shtytëse prapa konglomeratit Koch Industries, i cili së bashku me vëllain e tij të madh, Charles, u bë një financier i madh i kauzave dhe kandidatëve politikë konservatorë, ndërroi jetë në moshën 79 vjeçare.

Charles Koch e njoftoi vdekjen e vëllait të tij në një deklaratë të premten. David Koch njoftohet se kishte vuajtur nga kanceri i prostatës për shumë vite.

David Koch studioi inxhinieri në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) dhe iu bashkua kompanisë Koch Industries me seli në Uiçita të Kansasit në vitin 1970. Ai u bë shef ekzekutiv i filialit Koch Chemical Technology Group.

Familja Koch njihet më së miri për ndërtimin e një rrjeti të gjerë politik me mjaft ndikim në mbështetje të kauzave konservatore. Vëllezërit Koch themeluan organizatën Amerikanët për Begatinë (Americans for Prosperity), e cila mbështet nismat për një qeveri të vogël dhe ato kundër rritjes së taksave.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Kolumbia, Alexander Hertel-Fernandez, i cili studioi vëllezërit Koch dhe influencën e tyre, i tha gazetës The Washington Post se “është e vështirë të mendosh për një grup tjetër individësh që kanë pasur një ndikim të tillë në sistemin tonë politik që nuk kanë qenë zyrtarë të zgjedhur.”

Sipas gazetës The Washington Post, kompania Koch Industries u bë ndërmarrja e dytë më e madhe private në Shtetet e Bashkuara, dhe deri në vitin 2018, vëllezërit njoftohej se secili prej kishte pasuri me vlerë rreth 60 miliardë dollarë. za

SHBA krijon komandën e hapësirës

Ushtria amerikane do të ngrejë javën e ardhshme një komandë të re luftarake, e para e këtij lloji në më shumë se një dekadë.

Zëvendës Presidenti Mike Pence dhe zyrtarët e Pentagonit njoftuan se Komanda amerikane e Hapësirës do të ngrihet zyrtarisht më 29 gusht.

Pentagoni nuk ka ngritur një entitet të tillë që nga viti 2009, kur u krijua Komanda Kibernetike e SHBA. Departamenti i Mbrojtjes aktualisht ka 10 komanda luftarake, dhe secila ka ose një mision gjeografik ose një funksional për operacionet ushtarake.

Gjenerali i Forcave Ajrore John Raymond është konfirmuar nga Senati si drejtuesi i parë i Komandës së Hapësirës.

Krijimi i komandës shihet nga disa zyrtarë si një hap i mundshëm drejt krijimit të një force hapësinore si entitet i veçantë ushtarak.

“Forca Hapësinore e Shteteve të Bashkuara do të bëjë që vendi ynë të jetë i përgatitur të mbrojë njerëzit tanë, interesat tona dhe vlerat tona në një hapësirë të gjerë dhe këtu në Tokë me teknologjitë që do të mbështesin mbrojtjen tonë të përbashkët për zonat e gjera të hapësinore,” tha zoti Pence.

Ai tha se Forca e Hapësirës në të ardhmen ka ende nevojë për financim dhe autorizim të Kongresit, por ai shtoi se pret që kjo të ndodhë së shpejti.

Ngritja e Komandës Hapësinore do të përshpejtojë përpjekjen prej disa dekadash për të riorganizuar dhe përmirësuar aftësitë teknologjike të ushtrisë në hapësirë, të cilat nganjëherë kanë marrë më pak vëmendje pasi Forcat Ajrore janë përqendruar tek aeroplanët e luftës dhe përparësitë e tjera luftarake.

Roli i ushtrisë në hapësirë ka qenë vazhdimisht objekt analizash të hollësishme, sepse SHBA gjithnjë e më shumë po mbështetet në orbitë tek satelitët, të cilët të vështira për tu mbrojtur. Satelitët ofrojnë komunikime, navigacion, inteligjencë dhe shërbime të tjera jetësore për ushtrinë dhe ekonominë kombëtare.

Gjatë vitit të kaluar, kjo çështja mori urgjencë në klimën e konkurrencës në rritje dhe kërcënimeve nga vendet rivale. za

Presidenti Trump anulon takimin me kryeministren e Danimarkës

Presidenti Donald Trump ka anuluar takimin me Kryeministren e Danimarkës, pasi ajo nuk pranon të diskutojë mundësinë që Danimarka t’u shesë Shteteve të Bashkuara Groenlandën.

Të martën Presidenti postoi në llogarinë e tij në Twitter një koment ku thotë “Danimarka është një vend shumë i veçantë me njerëz të jashtëzakonshëm, por bazuar në komentet e Kryeministres Mette Frederiksen se nuk është e interesuar të diskutojë blerjen (nga SHBA) të Groenlandës, do ta shtyj takimin e planifikuar për pas dy javësh”.

Presidenti Trump e kishte ngritur idenë e blerjes së Groenlandës nga Danimarka javën e kaluar. Zyrtarët në Groenlandë dhe Danimarkë u përgjigjën menjëherë se ky ishull nuk ishte për shitje.

Të martën, Kryeministri i Groenlandës u takua në Rekjavik me udhëheqës të vendeve të tjera nordike përfshirë kryeministren e Danimarkës.

Kur e pyetën lidhur me interesimin e Presidetit Trump për Groenlandën, Kryeministri Kim Kim Kielson la të kuptohej se ishte ngopur nga ky diskutim.

“I jam përgjigjur kësaj pyetjeje dy ditë më parë. Nuk është as argëtuese, as për të qeshur”. za

Zëri i Amerikës – Pompeo: Njohja reciproke në bazë të normalizimit të marrëdhënieve Serbi – Kosovë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Përmes një postimi në rrjetin twitter sekretari Pompeo theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen reciproke. Sipas zëdhënëses, Sekretari Pompeo ritheksoi që të dyja palët duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për marrëveshjen.

Presidenti serb, shkroi në rrjetet sociale se e ka lutur sekretarin Pompeo që “administrata amerikane të përpiqet, ndonëse këtë e ka bërë edhe deri tash, më fuqishëm që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat” ndaj mallrave serbe dhe “për këtë nuk ka dyshim që e kemi mbështetjen amerikane, sepse edhe ata mendojnë që është me rëndësi të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, shkroi presidenti serb.

Ai i tha programit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se me sekretarin Pompeo ka biseduar edhe “për rëndësinë e mbrojtjes së kishave e manastireve në Kosovë” dhe se Serbia është e gatshme “pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët. Nuk është me rëndësi çmimi politik që duhet paguar, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë të bëjnë me realitetin, por atë që lidhte me mitet tona. I thashë se jemi të gatshëm të bisedojmë dhe e kuptojmë shumë mirë që nëse ndonjëherë do të arrihet ndonjë zgjidhje, ajo nuk duhet dhe nuk guxon të përmbushë kërkesat njërës palë”, tha ai.

Presidenti serb tha se beson që amerikanët e kuptojnë që “nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dy popujt më të mëdhenj, varet e ardhmja e rajonit”.

Bisedimet janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Jeffrey Epstein “ka nënshkruar testament dy ditë para vdekjes”

Financieri amerikan, Jeffrey Epstein ka nënshkruar një testament dy ditë para se të kryente vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut, kanë raportuar mediat në Shtetet e Bashkuara.

Në disa dokumente të gjykatës është bërë e ditur se pasuria e Epstenit kap shifrën e 577 milionë dollarëve, mirëpo nuk është detajuar se kush janë përfituesit, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur teksa ka qenë duke pritur nisjen e seancës gjyqësore kundër tij për akuzat e trafikimit seksual dhe komplote tjera.

Një ekzaminues mjekësor në Nju Jork ka thënë se 66-vjeçari, trupi i të cilit është gjetur i vdekur më 10 gusht, ka kryer vetëvrasje.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë kundër tij, mirëpo ka mundur të përballet me burgim deri në 45 vjet.

Ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullësi serioze” në burgun federal ku Epstein ka kryer vetëvrasje.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Arrestohet një person nën dyshimin se planifikonte sulme në qendrën hebreje

Policia në shtetin e Ohajos.

Policia e shtetit Ohajo të SHBA-së, ka arrestuar një person, për të cilin besohet se ka kërcënuar se do të sulmojë me të shtëna një qendër të komunitetit hebre.

James Reardon, 20 vjeçar, u arrestua pasi kishte postuar një video të dyshimtë në internet, ku shkruante se “policia ka identifikuar sulmuesin në qendrën hebreje. Ai është Seamus O’Reardon, një nacionalist i bardhë”.

Policia beson se ky emër është pseudonimi i James Reardon.

Një kontroll në shtëpinë e tij zbuloi disa armë, dhe një maskë gazi, tha policia.

Gjatë kontrollit është gjetur edhe material me përmbajtje të nacionalistëve të bardhë.

Të shtënat në një sinagogë në Pittsbourg, vitin e kaluar, lanë të vdekur 11 persona. rel

Të paktën 13 të arrestuar në protestat në Portland

Policia arrestoi të paktën 13 vetë të shtunën në Portland të shtetit Oregon, si edhe vendosi barrierë betoni, mbylli rrugë dhe ura, si edhe konfiskoi një numër të madh armësh në një përpjekje për të parandaluar dhunën mes grupeve të së djathtës së skajshme dhe kundërprotestuesve anti-fashistë.

Shefja e policisë, Danielle Outlaw e përshkroi të shtunën si një “ditë të gjatë dhe të mundimshme” dhe tha se shufra metalike, mburoja dhe sende të tjera të forta u konfiskuan nga forcat e policisë, në qendrën e qytetit ku pati shumë njerëz, por jo incidente madhore mes dy grupeve.

Protesta ishte organizuar nga grupi i së djathtës së skajshme “Proud Boys”. Përballë tyre ishte grupi i veshur me të zeza i protestuesve antifashistë.

Danielle Outlaw tha se autoritetet arritën të mbajnë grupet larg njëri tjetrit.

Zëdhënësja e policisë tha se në një periudhë të ditës rreth 1 mijë e 200 veta ishin në rrugë por numri ra në rreth 400 më vonë pasdite.

Kryebashkiaku i Portlandit, Ted Wheeler tha se afro 1 mijë oficerë të policisë së Portlandit ishin në terren të shtunën të ndihmuar nga Policia Shtetërore e Oregonit, forca të tjera policie dhe FBI-ja.

Në një konferencë shtypi në mbrëmje au the se ngjarja kishte lidhje me “një lëvizje në rritje të nacionalizmit të bardhë” dhe një ndjesi në frike në rritje.

Kryebashkiaku tha se Joe Biggs, organizatori i demonstratës së të djathtës së skajshme, nuk ishte i mirërpritur në Portland.

Biggs tha se e shtuna ishte një sukses, duke iu referuar një mesazhi të Presidentit Donald Trump në Twitter, ku ai linte të kuptohej se do të merrte masa ndaj grupit Antifa që organizonte kundërprotestën, por nuk përmendi protestën e së djathtës së skajshme. za

Pelosi: Nuk ka marrëveshje SHBA-Britani nëse preket pakti irlandez

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Marrëveshja tregtare në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të përfshihet për diskutim në Kongres, nëse Brexiti minon të ashtuquajturën Marrëveshja e të Premtes së Mirë, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.

Pelosi ka thënë se largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian nuk mund të lejohet që të rrezikojë marrëveshjen për paqe me Irlandën.

Komentet e saj kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se Britania e Madhe do të jetë “e para në listë” për marrëveshje tregtare me SHBA-në.

Bolton i ka bërë këto deklarata pasi ka biseduar me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Londër.

Rivendosja e kontrolleve kufitare në mes të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, nëse Britania largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor të këtij viti, konsiderohet rrezik për një marrëveshje të arritur më 1998, e cila i ka dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në Irlandën Veriore.

“Pavarësisht rrethanave, Brexiti nuk duhet të lejohet që të rrezikojë Marrëveshjen e të Premtes së Mirë”, ka thënë Pelosi përmes një deklarate.

Bolton në anën tjetër, ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump mbështet një Brexit pa marrëveshje.

Bolton: SHBA-ja do ta mbështeste vendimin e Britanisë për Brexit pa marrëveshje

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian, derisa ligjvënësit britanikë janë zotuar se do të rrëzojnë secilën qeveri që tenton të largojë Britaninë nga blloku evropian pa një marrëveshje.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Barr: Janë gjetur “parregullsi” në burgun e Epsteinit

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullsi serioze” në burgun federal ku biznesmeni, Jeffrey Epstein, ka kryer vetëvrasje gjatë fundjavës.

Barr ka thënë të hënën se ai është zemëruar kur ka kuptuar se punëtorët e Qendrës Korrektuese në Nju Jork, “kanë dështuar që ta mbrojnë të burgosurin”, transmeton agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur të shtunën, pasi zyrtarët e burgut kanë thënë se ai ka kryer vetëvrasje.


Jeffrey Epstein.

Ai ka qenë në pritje të gjykimit pas akuzave për trafikime seksuale.

Barr nuk ka ofruar të dhëna specifike, mirëpo ka thënë se hetimet e Byrosë Federale të Hetimit (FBI) dhe inspektorëve të Departamentit të Drejtësisë janë duke vazhduar.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Nju Orlliens.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

SHBA: Dhuna me armë, mbizotëruese në politikë pas vrasjeve masive

Çështja e dhunës me armë ka mbizotëruar në debatet politike të Shteteve të Bashkuara, pas vrasjeve masive fundjavën e kaluar në Teksas dhe Ohajo. Ndërsa anëtarët e Kongresit janë me pushimet e gushtit, kandidatët demokratë për president po bëjnë thirrje për veprim dhe Presidenti republikan Donald Trump po premton kontroll më rigoroz të blerësve të armëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sulivan njofton:

Më shumë se 30 vetë humbën jetën në dy vrasje masive. Funerali i një viktime u mbajt të shtunën në Ohio.

Në Ajova të premten, kandidatët demokratë për president u përqëndruan tek dikush që nuk ishte i pranishëm: Presidenti Donald Trump.

“Bëhet fjalë për dikë që e mori postin dhe që ka përdorur merin dhe zërin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për të na përçarë”, tha senatorja Kamala Harris.

Zoti Trump i ka dënuar sulmet, por demokratët thonë se retorika e tij për eimigrantët e paligjshëm frymëzon urrejtje. Presidenti u tha gazetarëve të premten se ai do që kontrollet për blerësit e armëve të bëhen më të rrepta.

“Ne nuk duam njerëz që kanë sëmundje mendore, njerëz të sëmurë, të kenë armë”, tha ai.

Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i rrethuar nga protestuesit në shtetin e tij të Kentucky, tha në një emision radioje të premten që komentet e demokratëve nuk janë të dobishme.

“Pas secilës prej këtyre ngjarjeve, prirja ka qenë për t’u përfshirë në debate politike, në vend që të punohet për të zgjidhur diçka. Presidenti më telefonoi sot në mëngjes për këtë temë. Ai dëshiron të shohë rezultate.”

Shoqata Kombëtare e Armëve, që ka ndikim të madh politik thotë se kontrolli më i rreptë nuk do t’i ndalojë kriminelët.

Kandidati demokart për president Cory Booker i tha një publiku në Ajova të premten se vendi duhet të merret me çështjen e terrorizmit të brendshëm nga supremacistët e bardhë. Ai e bëri këtë argument përsëri të dielën.

“Dhe problemi është se në Shtëpinë e Bardhë nuk kemi dikë që të ngrihet dhe të thotë se do të përballemi me këtë, të caktojmë burime, të shpenzojmë energjinë, kemi dikë që po e amplifikon, që po kontribuon tek kjo lloj përçarjeje”.

Ambasadorja e re amerikane në Tiranë merr këshillat e fundit nga Mike Pompeo

Pak kohë më parë u përcaktua se zëvendësuese e ambasadorit Donald Lu në Tiranë do të jetë Yuri Kim, e emëruar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Ambasadorja e emëruar, që pritet të kalojë edhe kongresin, ka zhvilluar ditët e fundit një takim me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo.

Ka qenë vetë Pompeo ai që ka shpërndarë foto nga takimi me ambasadorët e rinj amerikanë që pritet të fillojnë punë në vende të ndryshme të botës.

Pasi i mbaroi mandati Donald Lu u emërua ambasador në Kirgistan, ndërsa deri në mbërritjen e kryediplomatit të ri amerikan “çelësat” e ambasadës në Tiranë po i mban e ngarkuara me punë Leyla Moses-Ones.

SHBA: Miliarderi Jeffrey Epstein i akuzuar për trafik seksual, kryen vetëvrasje

Financieri Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në qeli ku priste gjyqin për akuza për trafik seksual në Nju Jork, i tha të shtunën agjencisë së lajmeve Associated Press një ish-zyrtar i rendit.

Ai u gjet i vdekur në qeli të shtunën në mëngjes, sipas zyrtarëve që ishin të informuar për çështjen por nuk deshën të identifikohen se nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për çështjen. Mjeku ligjor i Manhatanit e konfirmoi vdekjen e Epsteinit.

Arrestimi i tij solli si rezultat hetime për mënyrën sesi autoritetet e kishin trajtuar fillimisht rastin e tij, kur akuza të ngjashme ishin ngritur kundër tij në Florida para më shumë se një dekade. Sekretari i Punës, Alexander Acosta dha dorëheqjen muajin e kaluar pas kritikave të ashpra për rolin e tij në mbikqyrjen e çështjes, kur ishte Prokuror i Përgjithshëm në Majami.

Miliarderi 66 vjeçar kishte deklaruar pafajësinë në një gjykatë të Nju Jorkut ndaj akuzve se kishte drejtuar një rrjet të gjerë vajzash të mitura për marrëdhënie seksuale. Sipas akt-padisë, zoti Epstein i kishte joshur vajzat të shkonin në vilat e tij në Manhatan dhe Florida në periudhën 2002-2005 dhe i kishte paguar qindra dollarë për seks. za

Kritikohet Presidenti Trump për thëniet se sulmet në masë u shkaktuan nga probleme mendore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara e vuri theksin te sëmundjet mendore si shkaktari kryesor i dhunës me armë. Këto komente ai i bëri pas dy sulmeve në masë gjatë fundjavës ku u vranë më shumë se 31 persona. Kritikët thonë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Megjithëse Presidenti Trump ka kërkuar trajtim dhe izolim për personat me probleme mendore, administrata e tij ka hequr dorë nga rregullorja që u ndalon të sëmurëve mendorë blerjen e armëve. Po kjo administratë është përpjekur të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor, me të cilin qytetarët me të ardhura më të vogla kanë qasje në shërbimet shëndetësore mendore.

Më shumë se 31 persona u vranë në dy sulmet në masë, javën që shkoi në El Paso të Teksasit dhe Dejton të Ohajos, të kryera nga persona me armë automatike.

Menjëherë pas sulmeve, Presidenti Trump premtoi veprime për të ndaluar masakrat.

Por ai minimizoi nevojën e kontrollit të armëve duke i dhënë fokus sëmundjeve mendore.

“Sëmundjet mendore dhe urrejtja tërheqin këmbëzën, jo armët”, tha Presidenti Trump.

Presidenti ka kërkuar reformë të ligjit për shëndetin mendor, në mënyrë që të identifikohen dhe trajtohen më lehtë personat me prirje për dhunë por në rast nevoje edhe të izolohen.

Por, përkrahësit e kontrollit të armëve dhe profesionistët e shëndetit thonë se fokusimi në sëmundjet mendore nuk e lufton këtë dukuri.

Në vend të kësaj, ekspertët thonë se treguesi i rrezikut është sjellja e kaluar kriminale.

“Ne e dime se urrejtja po i nxit këto krime dhe urrjejta nuk është sëmundje mendore”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Kritikët shtojnë se retorika e presidentit nuk përputhet me veprimet e tij. Administrata e tij është tërhequr nga rregulloret e kaluara për pronësinë e armëve nga të sëmurë mendorë dhe ka provuar të shfuqizojë ligjin e miratuar në mandatin e Presidentit Obama që u ofronte sigurim shëndetësor privat dhe qasje në programet qeveritare për trajtimin e shëndetit mendor personave me të ardhura të vogla.

“Sigurisht, shërbimet e shëndetit mendor kanë rëndësi. Njëkohësisht njerëzit që thonë se shkaku është shëndeti mendor dhe jo prania e armëve në rrugë, janë po ata njerëz që provuan të ndërpresin sigurimin shëndetësor falas Medicaid dhe po ata provuan të shfuqizojnë ligjin e kujdesit të përballueshëm”, tha senatori demokrat nga shteti Ohajo, Sherrod Brown.

Përkrahësit e kontrollit të armëve thonë se përqendrimi te sëmundjet mendore shmang faktorë të tillë si qasja e lehtë e amerikanëve në armë zjarri duke përfshirë edhe ato të kalibrit të rëndë.

“Nëse do të bësh diçka për të ndalur dhunën, duhet të bësh diçka për armët”, tha Joshua Horwitz nga koalicioni për ndaljen e dhunës me armë.

Presidenti Trump ka mbështetur shtrëngimin e procedures së blerjes së armëve, duke kontrolluar të kaluarën e blerësve, por kundërshtimet e grupeve që mbështesin të drejtën e posedimit të armëve si dhe mungesa e konsesusit në Kongres, zbehin mundësitë e miratimit të një ligji të tillë.

Nëse nuk bëhet diçka e madhe në rang federal, shtetet mund të marrin masa veç e veç.

Shtatëmbëdhjetë shtete kanë urdhëruar mbrojtje nga i ashtuquajturi “rrezik ekstrem” që lejon autoritetet t’u marrin armët qytetarëve që mendohet se paraqesin rrezik për veten ose të tjerët. za

SHBA, ndryshime të tjera në udhëheqjen e zbulimit kombëtar

Në udhëheqjen e agjencisë kryesore të zbulimit amerikan këto ditë ka patur disa lëvizje. Por Presidenti Donald Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar.

Presidenti Donald Trump tha në një koment në Twitter se kishte pranuar të enjten vonë dorëheqjen e Zëvendës Drejtoreshës Kryesore të Zbulimit Kombëtar, Sue Gordon, e cila para pak kohe njoftoi se përgatitej të merrte postin e drejtoreshës në detyrë të kësaj agjencie.

“Sue Gordon është tani atje. Ajo më pëlqen shumë. Gjithmonë më ka pëlqyer Sue Gordon. Por ne do të bëjmë një zgjedhje tjetër. Ajo sigurisht do të merret parasysh për t’u bërë drejtoreshë në detyrë. Me siguri do të flasim për këtë ose sot ose javën tjetër,” tha Presidenti Trump në një koment të mëparshëm me gazetarët.

Nga letra e dorëheqjes së zonjës Gordon drejtuar Presidentit thuhet se dilte qartë që ajo nuk po largohej me dëshirën e saj.

Ajo i tha Presidentit Trump se letra ishte një akt respekti dhe patriotizmi, jo preferencë, dhe se ai duhet të caktonte aty ekipin që dëshironte.

Largimi i zonjës Gordon vjen më pak se dy javë pasi drejtori i zbulimit kombëtar, Dan Coats, njoftoi se do të largohej më 15 gusht.

Në Twitter, Presidenti Trump tha se, admirali në pension, Joseph Maguire, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, do të bëhej drejtor në detyrë i zbulimit kombëtar më 15 gusht, ditën kur hyjnë në fuqi dorëheqjet e zotit Coats dhe zonjës Gordon.

Presidenti Trump ende nuk ka njoftuar publikisht se cilin do të emërojë drejtor të përhershëm të zbulimit kombëtar. za

Shqipëri: Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mes kritikash dhe debatesh

Mimoza Picari

Në Shqipëri, proçesi i rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi ka marrë shumë vëmendje në opinionin publik për shkak se ai po shoqërohet me largime në masë të përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Kjo ka sjellë kolaps të dy gjykatave asaj kushtetuese dhe të lartë, dhe për pasojë debati politik dhe ai në rradhët e drejtësisë po zhvillohet me tone të larta. Kritikët e Vettingut shohin tek ai një proces agresiv, në disa raste me standarte të dyfishta dhe të ndikuar politikisht nga shumica qeverisëse. Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë të posaçme me shkrim për Zërin e Amerikës, i hodhi poshtë këto pretendime duke i cilësuar ato si sinjale se Vetting po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Ajo mohoi që ky proçes të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

Rivleresimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, si pjesë e reformës në drejtësi, ka larguar nga detyra 74 prokurorë dhe gjyqtarë ndërsa 39 kanë dhënë dorëheqje. Në total 113 prokurorë dhe gjyqtarë i mungojnë sistemit dhe për rrjedhojë dy gjykatat ajo kushtetuese dhe e lartë s’mund të marrin vendime për shkak të mungesës së gjyqtarëve. Vetting-u monitorohet nga Operacioni ndërkombëtar i monitorimit. Gati tre vite nga miratimi, ai ka marrë mjaft vëmendje jo vetëm si produkti i parë i reformës në drejtësi por edhe si test për ecurinë e saj. Shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera në përgjigjet me shkrim i tha Zërit të Amerikës, se ky proçes synon kthimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

“Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit”- pohon shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera.

“Ne jemi mësuar jemi mesuar që opinioni publik është bombarduar me reformën të barazuar me proçesin e Vetting. Në fakt Vetting në vetvete nuk është reforma Vetting është një nga aspektet që do të nxjerë jashtë sistemit ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë abuzuar me funksionin e tyre”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Komiteti shqiptar Helsinkit që ka monitoruar që prej fillimit procesin vëren se në përgjithësi ai ka qenë pozitiv, përsa i takon aspektit të së drejtës për një proçes të rregullt ligjor.

“ Ne kemi parë që shumë qytetarë kanë qenë aktivë dhe paraqitur denoncimet e tyre.Madje ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, që janë rivlerësuar dhe për të cilët ka patur një numër të konsiderueshëm ankesash”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Që prej fillimit të proçesit të Vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët janë bërë afro 4 mijë e 200 denoncime nga qytetarët. Ato merren në shqyrtim nga organet e Vetting dhe nëse ka prova dhe fakte bindëse për prokurorët dhe gjyqtarët e denoncuar këto ndikojnë në marrjen e vendimeve për ta, gjatë rivlerësimit, i cili bazohet në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe kriterin profesional.

“Mënyra se si po zhvillohet proçesi i verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, më duket më agresiv se ai që duhet të jetë në fakt”-thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Kritikat tona kryesore kanë qenë në drejtim të konsolidimit të jurisprudencës të organeve të Vettingut dhe në mënyrë të veçantë, në pjesën e zbatimit të proporcionalitetit. Vetting-u nuk mud të jetë radikal dhe nuk mund të penalizojë këdo, por vetëm ata me probleme serioze”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Ne nuk kemi qenë kundër reformës. Ne e shpëtuam reformën. Ata që vlerësojnë reformën vetëm nga vetting-u që ka dy anë të padiskutueshme. Ka anën që nxjerr nga sistemi njerëz. Dhe anën që bën gjahun e shtrigave për llogari të qeverisë në mënyrë të padiskutueshme. Por ka një gjë themelore. Ky Vetting që bëhet thyen parimet universale, thyen parimet e mishëruara në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut”- shprehet Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Nuk e lamë ne vendin pa gjykatë kushtetuese. Dhe në mënyrë absolute kjo ka qenë e qëllimshme. Se nëqoftëse vendi sot është pa Gjykatë Kushtetuese, ishte kjo që na ndau ne nga reforma pasi votuam ndryshimet kushtetuese. Ne ishim për një Vetting që shkonte nga poshtë lart dhe nuk krijonte vakum në sistem”- pohon Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Duhet një rivlerësim i situatës. Dihej që në fillim që sistemi vuante, por nëse këtë mekanizëm në do ta përdorim kaq ashpër ne kemi rrezik të humbasim sistemin ose ta vëmë atë në rrezik në ushtrimin e funksioneve dhe detyrave kushtetuese që ka”- thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Shefja e ONM është e bindur se proçesi i Vetting ka dhënë një measzh të fortë për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin.

“ Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethenëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin.Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t’i shërbyer Kushtetutës”- pohon Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Këta që vijnë sado me dëshirë të futen në sistem, këta janë të rinj e para, e dyta që të zhvillohesh në karierë gjyqësore dhë të prokurorisë ka disa kritere ligjore dhe kushtetuese. Është si të rrisësh një njeri, ashtu rritet dhe sistemi”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Në shkarkimin e mbi 70 gjyqtarëve dhe prokurorëve nga detyra kriteri kryesor ka qenë ai i pasurisë. Ai rrëzoi dhe prokuroren e parë që ju nënshtrua vetting Besa Nikhasanin e cila i është drejtuar Gjykatës së të drejtave të njeriut në Strasburg, që e ka marrë në shqyrtim çështjen e saj.

“Mosjustifikim i pasurisë në thanë. S’ke çertifikatë pronësie për shtëpinë në Lezhë. Banesën në Lezhë e kisha deklaruar që në 2003-in, me adresë dhe me të dhëna se ka qenë e pahipotekuar. Sot 60% e pronave në Shqipëri janë me probleme” – shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Shoqëria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të mbetet një shoqëri informale. Deri para pak vitesh ne edhe pagën e kemi marrë me bordero. Pra kesh dhe jo përmës bankës. T’u kërkosh sot prokurorëeve dhe gjyqtarëve të përgjigjen në detaje për transaksione të caktuara, për justifikim të pasurisë sikur shoqëria ka funksionuar në mënyrë perfekte me formalitet, do të thotë se që në fillim i kë vënë në pozitë të vështirë”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

“Dhe ajo për të cilën ne kemi tërhequr vëmendjen ndaj organeve të Vetting dhe kemi parashtruar edhe raportet dhe analizat tona ka qënë fakti se në disa raste parimi i proporcionalitetit, ka shkuar në funksion të konfirmimit në detyrë, dhe në disa raste të tjera ky parim i ka djegur këta prokuorë dhe gjyqtarë dhe i ka shkarkuar nga detyra”- argumenton Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Ka standarte të dhjetëfishta jo të dyfishta. Problemi është se këta nuk mbajnë përgjegjësi”- shprehet Besa Nikëhasani, prokurore e shkarkuar nga Vetting.

“Ne jemi Kolegji i posaçëm i apelimit. Ne kemi zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk na e ndryshojnë idenë e gjykimit as opinonet dhe as mendimet e askujt”- u shpreh Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të posaçëm të apelimit.

Në Gjykatën e strazburgut mjaft prokuorë dhe gjyqtarë të shkarkuar nga Vetting kanë depozituar padi ndaj shtetit shqiptar. Kjo gjykatë ka gjetur në shkelje të konventës së të drejtave të njeriut edhe shtete të mëdha si Franca Anglia por në rastin e shqipërisë rreziku lidhet me besimin ndaj Vetting.

“Mund të krijojë problem Gjykata e Strasburgut përsa i takon besueshmërisë në këtë proçes dhe legjitimitetit të tij”- thotë Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“ Sot Gjyata e Strasburgut ka shtruar pyetje asgjësuese për reformën. Sepse dënohen në një proçes të pandershëm. Këta i kanë lejuar vetes që të jenë vetë hetues edhe vetë gjykatës. Kjo formë nuk ekziston. Kjo do të çojë në kolaps, sapo Strasburgu të japë vendimet e para për proçedurat staliniste”- thotë Sali Berisha- ish-kryeministër.

“Nëse dikush fiton një çështje në Strasburg nuk është sakrilegj madje është mirë, sepse i bën mirë dhe vetë proçesit. E rëndësishme është që struktura e reformës të mos cënohet”- pohon Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT.

Rivlerësimi i afro 700 prokurorëve dhe gjyqtarëve pritet të përfundojë në vitin 2026. Angazhimi i operacionit ndërkombëtar të monitorimit do të jetë deri në fund të këtij proçesi me rekomandime dhe opinione duke përfshirë edhe mendime kundërshtuese nëse është e nevojshme.

“Për më tepër, ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit. Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit”- shprehet Genoveva Ruiz Calavera shefja e ONM.

“Ne duhet që këtë moment të mos e humbasim për Shqipërinë, sepse është një moment shumë i veçantë. Nëse ne në fund të këtij proçesi arrijmë të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe profesional, ne kemi disiplinuar të gjithë shoqërinë shqiptare”- shprehet Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UT .

Huntsman: Marrëdhëniet me Rusinë më të vështirat në vite

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi, Jon Huntsman, ka dhënë dorëheqje pas dy vitesh në pozitën më të lartë të diplomacisë amerikane në Moskë. Ai e ka quajtur kohën që shërbeu si ambasador një nga periudhat më të vështira në historinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Në seancën e thirrur në Senat për emërimin e tij para dy vitesh, kandidati i atëhershëm i emëruar si ambasador në Rusi, Jon Huntsman, ishte i ndërgjegjshëm për vështirësitë.

“Nuk kam iluzione se të shërbesh si ambasador i SHBA-së në Rusi është e lehtë dhe e thjeshtë. Marrëdhëniet tona janë sfida më e rëndësishme dhe e komplikuar në politikën e jashtme”, u shpreh në atë kohë thënë ambasadori amerikan në Rusi, Jon Huntsman.

Pikërisht këto vështirësi bën që ai të largohet dy vite pasi udhëhoqi misionin diplomatik në Rusi. Zoti Huntsman shërbeu në Moskë në kohën kur agjencitë inteligjente amerikane thanë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe një komision i veçantë hetoi lidhjet midis Moskës dhe fushatës së kandidatit të atëhershëm, tani presidentit Donald Trump.

“Në shumë mënyra, marrëdhëniet SHBA-Rusi janë përcaktuar nga hetimet e akuzave ndaj Rusisë dhe konsensusi nga të dy partitë në Kongres se duhet të kufizojmë angazhimin dhe marrëdhëniet tona me Moskën për shkak të aktiviteteve të tyre kundër nesh”, tha Mark Simakovsky nga Këshilli i Atlantikut.

Në letrën e tij të dorëheqjes, zoti Huntsman ofron disa këshilla për pasuesit e tij ku thotë se Rusia duhet të mbahet përgjegjëse kur veprimet e saj kërcënojnë SHBA-në ose aleatët e tyre.

Para Rusisë ai kishte shërbyer si ambassador në Kinë e Singapor.

Ka zëra se ai mund të futet në garë për guvernator në shtetin Utah, një post këtë që e kishte dikur.

Largimi i tij vjen në kohën e përdorimit të dhunës nga Kremlini kundër protestuesve, të udhëhequra nga mbështetësit e kandidatëve të partive opozitare të përjashtuara nga gara për këshillin bashkiak të Moskës.

Policia ruse ka arrestuar më shumë se 1 mijë persona. Pamjet e forcave të rendit duke rrahur qytetarë të shtrirë në tokë, kanë marrë vëmendje globale.

Në letrën e dorëheqjes së tij, zoti Huntsman i bën thirrje Rusisë të respektojë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. za

Presidenti Trump përballë protestave në El Paso dhe Dejton

Richard Green

Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja Melania u pritën nga dhjetëra protestues gjatë vizitave që bënë dje në Dejton të Ohajos dhe El Paso të Teksasit, ku fundjavën e kaluar ndodhën dy vrasje masive me armë zjarri. Demonstruesit në të dy qytetet shprehën zemërimin e tyre për rregulloret e pamjaftueshme për armët si dhe ndaj komenteve të Presidentit për emigrantët dhe njerëzit me ngjyra që janë denoncuar si raciste.

Pak para se të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Ohajo dhe Teksas, Presidenti Trump u mbrojt edhe një herë ndaj kritikave në rritje se komentet e tij përqafojnë dhe inkurajojnë supremacizmin e bardhë. Ai shkoi aq larg sa që la të kuptohet se i dyshuari për vrasjet masive në Ohajo mbështeste kundërshtarët e tij liberalë.

“Pra, kritikët e mi janë njerëz politikë, ata po përpiqen të fitojnë pikë. Në shumë raste ata janë duke kandiduar për president dhe janë shumë poshtë në sondazhe. Nëse shihni ngjarjen në Dejton, ky ishte personi që mbështeste Bernie Sandersin, lëvizjen Antifa, senatoren Elizabeth Warren, me sa kuptoj. Nuk kishte asnjë lidhje me Presidentin Trump. Pra, këta janë njerëz që kërkojnë përfitime politike. Dhe sa më shumë që të jetë e mundur unë jam përpjekur të qëndroj jashtë kësaj”.

Përshëndetja e ngrohtë që zotit Trump iu rezervua nga personalitetet vendase kur mbërriti në Dejton ishte në kontrast me protestuesit e zemëruar që ishin rreshtuar në rrugët jashtë spitalit ku ai dhe zonja e parë vizituan disa nga 27 personat e plagosur nga ngjarja e së dielës, ku u vranë 9 vetë.

Senatori Demokrat i Ohajos Sherrod Brown thotë se ai i kërkoi presidentit të nxisë aleatët e tij republikanë të Senatit të ndërmarrin veprime të shpejta lidhur me legjislacionin e ri për kontrollin e armëve të miratuar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

“Si kryetarja e bashkisë ashtu edhe unë i bëmë thirrje Presidentit që t’i kërkojë udhëheqësit të Senatit Mitch McConnell ta mbledhë Senatin përsëri në seancë këtë javë, për t’i thënë se ai dëshiron që të debatohet projektligji i miratuar tashmë nga Dhoma për kontrollin e të shkuarës së personave që blejnë armë. I kërkova Presidentit të më premtojë mua dhe popullit amerikan se ai do ta nënshkruajë atë projektligj pasi të jetë shprehur në mbështetje të tij bashkë me senatorin McConnell.”

Në El Paso, ku 22 njerëz u vranë në një supermerkat vetëm disa orë para vrasjeve në Dejton, Presidenti Trump vlerësoi personelin e urgjencës që u erdhi në ndihmë viktimave dhe kapi personin që shtiu.

“Puna që keni bërë si polici, si zbatues të ligjit, si reagues të parë, është e jashtëzakonshme. Dhe të gjithë po e thonë këtë. Unë desha të vij dhe t’ju falënderoj sepse jeni njerëz shumë të veçantë”.

Zemërimi ishte i madh edhe në El Paso, qytet në kufi me Meksikën. Personi i dyshuar për vrasjet Patrick Crusius, njoftohet se postoi një mesazh supremacist në internet pak orë para se të qëllonte, duke shprehur urrejtje të madhe ndaj hispanikëve.

Shumë banorë të El Pasos fajësuan retorikën e presidentit dhe politikat e tij kundër emigrantëve pa dokumente nga Meksika dhe vende të tjera të Amerikës Qendrore.

“Këto politika të mbushura me urrejtje zbatohen pikërisht këtu në komunitetin tonë çdo ditë. Ky sulm, dhe secili para tij, ka qenë një sulm ndaj të drejtës sonë për të ekzistuar. Sot, në një ditë kur komuniteti ynë është ende i tronditur, ende në zi dhe ende duke marrë veten nga ky sulm terrorist dhe supremacist, sepse kjo është e vërteta. Në një ditë kur komunitetet latino në të gjithë vendin kanë frikë se nesër mund të jetë radha e tyre. Sot ne duhet ta mbajmë Presidentin përgjegjës për modelin e racizmit që karakterizon administratën e tij.”

“Ne kemi një president që demonizon komunitete si ky,” tha Beto O’Rourke, kandidat demokrat për president, i cili më parë përfaqësonte El Pason në Kongres.

Presidenti e sulmoi zotin O’Rourke në Twitter para se të arrinte në El Paso, duke e ironizuar për rezultatin e ulët në anketa dhe duke e akuzuar për falsifikim të origjinës familjare për ta paraqitur veten si hispanik.

Trumpi e do një marrëveshje Kosovë –Serbi deri në qershor?

Presidenti i Serbisë i ka komentuar zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me relacionet Kosovë –Serbi dhe procesin e dialogut mes palëve. Ai ka thënë se supozon që vendet perëndimore do ta kërkojnë përshpejtimin e gjetjes së një zgjidhjeje për Kosovën, por ka theksuar se enda nuk ka dëgjuar ndonjë propozim prej tyre, duke theksuar se krejt çfarë po bëjnë ata është rritja e presionit ndaj tij.

Vuçiq ka theksuar përsëri se ideja e tij për këmbim territoresh është hedhur poshtë nga të gjithë duke theksuar se kjo është një dëshmi se një zgjidhje e tillë ka qenë shumë e mirë.

“ Unë nuk e kam parë ndonjë propozim prej tyre, përveç presionit ndaj meje ku thonë se ‘ti mund ta përballosh do të fitosh në zgjedhje edhe nëse pranon pavarësinë e Kosovës e ne do të ndihmojmë me BE’në dhe me paratë për Serbinë” ka shtuar Vuçiq.

Duke i komentuat deklaratat e profesorit të Universitetit Johns Hopkins Edward Joseph i cili ka thënë se celësi për Kosovën është në duart e Vuçiq, shefi i shtetit serb ka thënë se ish-diplomati amerikan nuk është në anën e Serbisë, por ka theksuar se ai është një njeri serioz dhe i informuar dhe se deklaratat e tij “janë një ngarkesë më tepër për të (presidentin serbe).

I pyetur rreth disa raportimeve të mediave se Trump ka kërkuar që zgjidhja për Kosovën të gjendet deri në muajin qershor dhe se edhe Macron ka kërkuar një përshpejtim, Vuçiq ka thënë se nuk bëhet fjalë për afate, por për përmbajtje.

“Edhe gazetarët me pyesin, por edhe shumë njerëz gabimisht mendojnë se teknika dhe forma janë më të rëndësishme se përmbajtja. Nuk është. Problemi është të përmbajtja në atë se çfarë ofron dhe cfarë flet. Pra këtu është problemi për atë se për çfarë do të merremi vesh” ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Serbia dhe serbët nuk mund ta njohin pavarësinë e Kosovës pa fituar diçka.

Presidenti Trump viziton Ohajon dhe Teksasin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, shkon sot në qytetit Dejton të Ohajos dhe në El Paso në Teksas. Vizitat e presidentit zhvillohen pas masakrave të fundjavës që lanë 31 të vrarë. Këto dy incidente me armë zjarri u pasuan me kritika ndaj retorikës së presidentit, të cilën shumë banorë e komentojnë si nxitëse të këtyre akteve të dhunshme. Disa banorë i kanë kërkuar presidentit të mos vizitojë këto dy komunitete:

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Hogan Gidley tha të martën se vizitat e presidentit Turmp në Dejton të Ohajos dhe El Paso të Teksasit, janë të ngjashme me vizitat që ai ka bërë në komunitete të tjera që janë goditur nga sulmet në masë. Presidenti bashkë me zonjën e parë do të takohen me ekipet e forcave të rendit dhe ndihmës së shpejtë si dhe me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.

“Presidenti do të shkojë në këto komunitete që të përcjellë pikëllimin e tij, të lutet me banorët, të shprehë ngushëllime, si dhe të shprehë mirënjohjen e tij për ata që rrezikuan jetën dhe që arritën ta ndalojnë sulmuesin aq shpejt”, tha dje zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley.

Por vizitat e planifikuara kanë ngjallur ndjenja të përziera tek ata që vënë në pikëpyetje nëse presidenti ka legjitimitetin t’u lehtësojë dhimbjen komuniteteve që janë në zi, pas retorikës së tij që shpesh ndez gjakrat.

Në El Paso, një qytet me shumicë hispanike, banorët mbajnë zi për 22 jetët e humbura. Retorika kundër emigracionit e presidentit, ka bërë që disa banorë të shohin si të papranueshme praninë e zotit Trump.

“Ka mungesë respekti për emigrantët, për të gjithë emigrantët si puna jonë. Sepse ai mendon se ne po e pushtojmë tokën e tij. Por nuk është ashtu. Ne vijmë për një të ardhme më të mirë për familjen, asgjë më shumë”, shprehen Arturo dhe Rosi Ceniceros, banorë të El Pasos.

Të tjerë janë mirënjohës për vizitën e presidentit.

“E di që shumë politikanë në qytetin tonë nuk janë të lumtur për vizitën e tij, unë personalisht i uroj mirëseardhje. E vlerësoj shumë kohën që ai po rezervon që të vijë e të takojë banorët e El Pasos”, tha një banore tjetër e këtij qyteti.

Në Dejton, ku humbën jetën nëntë persona nga sulmi me armë në orët e para të së shtunës, kryetarja e bashkisë, demokratja Nan Whaley shprehet se do ta mirëpresë presidentin. që vjen nga radhët e partisë. Por ajo shton se komentet e tij pas sulmeve ishin të paqarta.

“Nuk e kuptoj se çfarë ka në mendje presidenti. Vetëm mund të shpresoj që si president i Shteteve të Bashkuara, ardhja e tij nënkupton se ai do të kontribuojë për të përmirësuar situatën sepse për këtë kemi nevojë,” tha kryetarja e bashkisë së Dejtonit, demokratja Nan Whaley.

Në fjalimin e së hënës për dy masakrat tronditëse, presidenti Trump foli për arsyet që shkaktuan masakrat, duke përfshirë sëmundjet mendore dhe dhunën e nxitur nga lojrat elektronike. Por ai shmangu rregulloret e buta që lejojnë blerjen lehtësisht të armëve të kalibrit të madh në SHBA.

“Jam e zhgënjyer nga komentet e tij. Janë të mangëta. Ai përmendi problemin e armëve një herë. Nëse analizon qëndrimet e presidentit mbi armët, sinqerisht më bën të mendoj se ai nuk ka bindje të qarta”, tha kryetarja e bashkisë së Dejtonit, Nan Whaley.

Pas Dejtonit, presidenti shkon në El Paso, ku 22 persona u vranë në një qendër tregtare. Njoftohet se personi i dyshuar si autor i sulmit, Patrick Crusius, kishte postuar në internet një mesazh supremacist orë përpara sulmit, në të cilin shprehet urrejtja e tij për hispanikët.

Zoti Trump në fjalimin e së hënës bëri thirrje të ndërpriten retorika të tilla, por ai vetë akuzohet për shrytëzimin e kësaj ideologjie në fjalimet ku zotohet për ndërtimin e murit në kufirin jugor që të pengojë ardhjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA, duke përfshirë këtu edhe fjalimin e tij nga El Paso në muajin shkurt.

Vizita e presidentit vjen në një kohë presioni ndaj republikanëve të Senatit amerikan që të miratojnë një ligj të propozuar nga demokratët që përfshin kontrollin e së kaluarës për blerësit e armëve, duke përfshirë edhe blerjet në internet dhe panaire.

Jep dorëheqjen ambasadori amerikan në Rusi

Ambasadori amerikan në Rusi Jon Huntsman Jr. i paraqiti Presidentit Donald Trump dorëheqjen, duke sinjalizuar përfundimin e mandatit të tij dy vjeçar.

Në letrën e tij zoti Huntsman falënderon presidentin për “besimin e treguar për të shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi gjatë kësaj periudhe marrëdhëniesh të vështira dypalëshe“, siç shkruan ai.

Dorëheqja hyn në fuqi më 3 tetor.

Zoti Huntsman, anëtar i Partisë Republikane, la detyrën e guvernatorit të shtetit të Jutas në 2009-n, kur ish-Presidenti Barack Obama e emëroi atë ambasador në Kinë. Një vit më parë ai ishte rizgjedhur për një mandat të dytë si guvernator.

Presidenti i dhomës së biznesit të qytetit Salt Lejk, i cili ka punuar me zotin Huntsman kur ai ishte gurvernator, tha se ai planifikon të kthehet në shtetin e tij dhe se sipas njoftimeve po sheh mundësinë për të kandiduar sërisht si guvernator.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass” citoi një zëdhënës të ministrisë së Jashtme i cili vlerëson profesionalizmin e zotit Huntsman, por shton se “situata e brendshme politike në SHBA e bëri të pamundur zhvillimin e plotë të lidhjeve dypalëshe”.

Rrjeti televiziv CNN njoftoi se presidentët e të dy vendeve diskutuan rreth nevojës për një ambasador të ri amerikan në Rusi gjatë një telefonate të zhvilluar javën e kaluar. Por sipas CNN-it dy udhëheqësit nuk kishin përmendur ndonjë emër për zëvendësimin e zotit Huntsman.

Jon Huntsman ka shërbyer gjithashtu si ambasador i SHBA-së në Singapor në fillim të viteve 1990 si dhe si zëvendës përfaqësues për tregtinë gjatë administratës së ish-presidentin George W. Bush.

400- vjetori i fillimit të skllavërisë në Amerikë

Muaji gusht i këtij viti shënon 400 vjetorin e mbërritjes së skllevërve të parë afrikanë në Virxhinia. Zbarkimi i tyre në Virxhinia shënoi fillimin e një prej kapitujve më të errët të historisë amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins ka vizituar vendin ku dikur lulëzonte kolonia e parë britanike në Amerikë dhe ku filloi historia 224 vjeçare e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Katër shekuj më parë një anije angleze me emrin Luani i Bardhë mbërriti në këto brigje duke sjellë njerëz për t’i shkëmbyer me mall e artikuj bujqësorë:

“Anija u fut në Gjirin e Çesapikut dhe mbërriti këtu nga fundi i gushtit 1619. Në anije kishte rreth 20 afrikanë të skllavëruar,” shpjegon presidenti i Shoqatës “1619”, Calvin Pearson.

Calvin Pearson është themelues i Projektit 1619. Ai tregon një rrip toke pranë ujit në Hampton të Virxhinias, që në atë kohë njihej si Point Komfort i kolonisë britanike, ku zbritën afrikanët e parë të skllavëruar.

Ky moment shënoi fillimin e odisesë së qindra mijëra afrikanëve të sjellë në Amerikë si skllevër mbi 200 vjet më parë.

“Këta afrikanë që ishin sjellë këtu kishin përpara një jetë në shërbim të pronarit: punonin në plantacionet me misër, me duhan. E dinin se ndoshta kurrë nuk do të rifitonin lirinë,” thotë zoti Pearson.

“Më rrënqethet mishi kur mendoj diçka kaq të trishtueshme,” thotë historian Bill Wiggins.

Historiani Bill Wiggins thotë se afrikanët e parë të sjellë në Virxhinia nuk kishin status deri kur autoritetet e Kolonisë së Virxhinias ligjëruan statusin e skllavërisë së përjetshme në 1661.

“Nuk mund ta imagjinoj se si ndiheshin këta individë të lidhur me zinxhirë kur anija po i afrohej portit në një tokë të panjohur. Kur u zbritën nga anija dhe u thanë se do të punonin e jetonin këtu,” thotë historian Wiggins.

Ato pak dokumente që kanë mbijetuar lënë të kuptosh se në anijen Luani i Bardhë mund të kishte rreth 24 afrikanë. Ata ishin marrë me forcë disa javë më parë nga një anije portugeze skllevërish që po shkonte në territorin e Meksikës:

“Këta kishin qenë individë të lirë, të cilët u rrëmbyen me forcë dhe u shitën si skllevër,” thotë Cassandra Newby Alexander, profesore e historisë në Universitetin Shtetëror në Norfolk.

Antoni dhe Isabela, dy skllevër katolikë afrikanë, të cilët ka të ngjarë të ishin nga Angola, u zbritën nga anija Luani i Bardhë kur ajo mbërriti në Point Komfort.

“Kjo është tokë e shenjtë e paraardhësve tanë. Kur shkel në këtë tokë kujtoj Antonin dhe Isabelën. Çfarë po mendonin kur zbritën nga anija në këtë tokë të panjohur? Këtu është kuota zero. Këtu e ka zanafillën gjurma afrikane në Amerikë,” thotë zoti Pearson.

Afrikanët e parë u shkëmbyen për mall ose iu shitën për para pronarëve të bardhë të plantacioneve në vendbanimet Hampton dhe Xhejmstaun, të cilat formuan koloninë e Virxhinias. Pak ditë pasi Luani i Bardhë mbërriti në Virxhinia, një tjetër anije mbërriti me një grup skllevërish, ndër to një vajzë e quajtur Angela:

“Angela është e vetmja afrikane, së cilës i është regjistruar emri në dokumentacionin e 1620-s që ekziston edhe kësaj dite. Mund të jenë regjistruar edhe emra të tjerë, por këto dokumente nuk ekzistojnë më,” thotë profesore Cassandra Newby Alexander.

Arkeologët thonë se Angela kaloi një pjesë të jetës në Xhejmstaun ku tani ndodhet një monument historik kombëtar dhe ku arkeologët po përpiqen të zbulojnë elementë të tjerë të jetës së saj:

“Përmes Angelas mund të tregojmë historinë më të përgjithshme të skllavërisë dhe të fillimeve të skllavërisë në këtë vend; po ashtu të fillimeve të racizmit që ishte i pandarë nga skllavëria. Në këtë mënyrë do t’i japim Angelas një farë dinjiteti njerëzor, së paku në imagjinatën tonë,” thotë James Horn, i cili punon për projektin arkeologjik në Xhejmstaun.

Angela dhe shumë të tjerë si ajo ishin ata që u mundësuan pasurimin kolonëve anglezë:

“Ata bënin pjesën më të madhe të punës. Shumë prej tyre vdiqën nga puna e rëndë. Ua kemi borxh këtyre afrikanëve sepse ata ishin themeli i zhvillimit ekonomik të kësaj kolonie nga ku filloi zgjerimi që solli Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë historiani Wiggins.

Skllavëria i ka fillimet në Virxhinia dhe po këtu u ndërmorën tentativat e para për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Gjatë Luftës Civile, tre skllevër u arratisën nga Ushtria e Konfederatës dhe shkuan në Fortesën Monroe ku kërkuan mbrojtje nga trupat e Unionit. Gjeneral Majori Benjamin Butler i ushtrisë së Unionit deklaroi se skllevërit do të trajtoheshin si kontrabandë e kapur nga forcat armike. Ky vendim frymëzoi mijëra skllevër të tjerë të arratiseshin dhe të kërkonin strehim pranë trupave veriore, duke nxitur një lëvizje më të gjerë.

“Ata e detyruan qeverinë federale dhe Presidentin Linkoln të nxirrte Proklamatën e Emancipimit, e cila çoi në Amendamentin e 13-të që i dha fund skllavërisë dhe hapi rrugën për Amendamentin e 14-të, i cili në 1868 u ofroi afrikano-amerikanëve shtetësinë amerikane,” thotë historiani Wiggins.

Fortesa Monroe është tani monument historik, një objekt madhështor ku brezat e ardhshëm të amerikanëve mund të mësojnë për historinë e hershme të kombit të tyre.

Hillary Clinton dhe vajza e saj botojnë së shpejti librin e ri

Hillary Clinton dhe vajza e saj Chelsea Clinton kanë bashkuar forcat në “Librin e Grave të Guximshme”, që nderon gratë, duke nisur nga shkencëtarja, Marie Curie e deri tek aktivistja për klimë, Greta Thunberg.

Shtëpia botuese, Simon & Schuster ka njoftuar se libri do të dalë në shitje më 1 tetor.

Kjo është hera e parë që ish-Sekretarja amerikane e Shtetit dhe kandidatja presidenciale, ka shkruar një libër me vajzën e saj, ndonëse të dyja më parë kanë publikuar libra ndaras.

“Libri i Grave të Guximshme” përfshin portrete të më shumë se 100 grave, duke përfshirë kandidaten presidenciale, Shirley Chisholm, aktivisten saudite, Manal al-Sharif, si dhe autoren e emisionit televiziv, Ellen DeGeneres.

“Për ne, të gjitha janë gra të guximshme, lidere që kanë kurajo për të bërë pyetje të vështira dhe që kryejnë punë”, ka thënë Hillary Clintin përmes një deklaratë.

“Ky libër është vazhdimësi e një bisede që Chelsea dhe unë kemi bërë prej kur ajo ka qenë vajzë e vogël dhe jemi të lumtur që edhe të tjerët të përfshihen në këtë bisedë”.

Chelsea në anën tjetër ka thënë se gratë e përfshira në libër “janë tejet optimiste dhe puna dhe jeta e tyre do të bëjë ndryshim në botë”. za

Trump, thirrje për veprime urgjente për të parandaluar dhunën me armë

Presidenti i SHBA Donald Trump bëri thirrje për veprime urgjente për të parandaluar dhunën me armë dhe tha se të gjithë amerikanët duhet të “dënojnë racizmin, fanatizmin dhe supremacizmin e bardhë”. Komentet vijnë pas vrasjeve masive me armë zjarri në Teksas dhe Ohajo, ku humbën jetën 29 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

“Këto ideologji të gabuara duhet të mposhten,” tha Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë. “Urrejtja nuk ka vend në Amerikë. Urrejtja mjegullon mendjen, shkatërron zemrën dhe gllabëron shpirtin,” tha ai.

Të shtunën, një njeri i armatosur vrau 20 vetë në një Walmart të El Pasos në Teksas, ngjarje që autoritetet e quajtën krim të urrejtjes me motive racore. Vetëm 13 orë më vonë, një tjetër njeri i armatosur në qendër të Dejtonit, në shtetin Ohio, vrau nëntë njerëz.

Presidenti Trump tha se ligjet e shëndetit mendor duhet të reformohen për të identifikuar më mirë individët me probleme mendore. Ai bëri thirrje për zbatimin e dënimit kapital për ata që kryejnë vrasje masive dhe krime të urrejtjes.

Presidenti Trump tha se kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të punojë me autoritetet lokale dhe kompanitë e mediave sociale për të zbuluar vrasësit para se të godasin. Ai tha se interneti, media sociale dhe videolojërat e dhunshme kanë ndihmuar në radikalizimin e njerëzve.

Po sot, Presidenti Trump u kërkoi ligjvënësve të vendosin kontrolle të forta mbi blerësit e armëve, duke lënë të kuptohet se kjo mund të bëhet paralelisht me reformën e emigracionit. za

Sulmi i dytë në SHBA lë të vrarë 9 persona

Nëntë persona kanë mbetur të vrarë në Ohio të Shteteve të Bashkuara në më pak se 24 orë nga sulmi i parë në Teksas ku mbetën të vrarë 20 persona.

Autoritetet thanë se sulmi ka filluar rreth orës 1:22 të mëngjesit, si dhe 16 persona të tjerë janë dërguar për trajtim pas plagëve të marra. Identiteti i sulmuesit nuk është bërë i ditur.

Rajoni i Oregonit ku ka ndodhur sulmi është vendi më i njohur për restaurant, kafiteri dhe teatër. Byroja Federale e Hetimeve deklaroi se është duke bashkëpunuar në hetime.

Sulmi në Ohio erdhi disa orë pas sulmit në El Paso të Teksasit, ku një person 21 vjecar me pushkë la të vdekur 20 persona dhe dhjetëra të plagosur. rel

Sulmuesi i armatosur lë të vrarë 20 persona në El Paso

El Paso, Teksas

Një person i armatosur me pushkë ka hapur zjarr në dyqanin e njohur Walmart në El Paso të Teksasit të shtunën, duke lënë të vrarë 20 persona dhe plagosur 26 tjerë, deri në momentin kur u dorëzua para policisë.

Shumë qytetarë ishin duke bërë blerje kur u përballën me sulmin vetëm 6 ditë pas sulmit të një adoleshenti ndaj tre personave në Kaliforninë veriore.

Sulmuesi i Teksasit është identifikuar nga autoritetet si një 21 vjeçar ndërsa mediat kanë raportuar se ai quhet Patrick Crusius.

Shefi i Policisë në El Paso, Greg Allen, tha se autoritetet janë duke hetuar një manifest nga sulmuesi ku dyshohet për krim nga urrejtja.

Një document 4 faqe i postuar në një grup që përdoret nga ekstremistët, besohet se është shkruar nga i dyshuari, me mbishkrimin “Sulmi në Walmart”, një përgjigje ndaj pushtimit spanjoll të Teksasit.

Sulmuesi ka shprehur mbështetje edhe për sulmuesin që la të vrarë 51 persona në dy xhami të Zelandës së Re në mars. rel

SHBA, tërhiqet nga gara kandidati për drejtor i Zbulimit Kombëtar

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se kandidati i tij për drejtor të Zbulimit Kombëtar, ligjvënësi John Ratcliffe, vendosi të qëndrojë në Kongres dhe për pasojë e ka tërhequr emrin nga gara.

“Ligjvënësi ynë i jashtëzakonshëm republikan John Ratcliffe po trajtohet shumë padrejtësisht nga media e lajme të rreme”, tha zoti Trump për zotin Ratcliffe, i njohur si besnik i zotit Trump dhe ish-prokuror.

“Në vend që të kalonte muaj të tërë mes shpifjesh e përgojimesh, i shpjegova John-it sa e mjerueshme do të ishte për të dhe për familjen e tij që të përballej me këta njerëz”, shkruante zoti Trump në Twitter.

“Ndaj John vendosi të qëndrojë në Kongres”, shkruante presidenti.

Tërheqja e zoti Ratcliffe, që sipas presidentit ishte pasojë Trump e mbulimit të padrejtë mediatik që iu bë republikanit nga Teksasi, erdhi vetëm pesë ditë pasi zoti Trump njoftoi se shefi aktual i Zbulimit Kombëtar Dan Coats do të largohej nga ky post në mesin e muajit gusht.

Presidenti tha se së shpejti do të njoftojë dhe emrin e një personi tjetër për të kandiduar për postin e drejtorit të Zbulimit Kombëtar.

Intervista – Palmer: Krijimi i qeverisë, sfida e tanishme për Kosovën

Zëri i Amerikës: A besoni se pas dorëheqjes së Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ekziston një rrugë e qartë për Kosovën dhe Serbinë që të rifillojnë dialogun mes tyre?

Matthew Palmer: Ne kemi shumë shpresë që Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një rrugë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe pastaj të gjejnë rrugën për arritjen e një marrëveshjeje që të ketë mbështetje reciproke, që të rezultonte në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre. Dhe kjo do të hapte rrugën për një të ardhme evropiane për të dyja vendet, për Kosovën dhe për Serbinë.

Zëri i Amerikës: A janë shanset më të mëdha tani që Haradinaj nuk është më Kryeministër?

Matthew Palmer: Mendoj se ajo që është nevojshme tani është krijimi i një qeverie në Kosovë. Kjo është sfida e menjëhershme. Ne duam që Kosova të fillojë përpjekjet për formimin e një qeverie sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne do të dëshironim që ajo qeveri pastaj t’i kthehet sa më shpejt dialogut, përfshirë pezullimin e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Ne shpresojmë që kjo të fillojë së shpejti.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të idesë së shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje e mundshme. A mendoni se tani që ai nuk është më Kryeministër ekziston një mundësi më e madhe për arritjen e një zgjidhje të tillë mes Presidentëve Vuçiç dhe Thaçi?

Matthew Palmer: Ne tani jemi të përqëndruar te rikthimi i palëve në tryezën e bisedimeve. Me t’u kthyer në tryezë, sigurisht është pastaj çështja se për çfarë do të negociojnë. Dhe i takon në të vërtetë vetë palëve të përcaktojnë se cilat janë parametrat e asaj që do të negociohet. Asnjëra nga palët nuk do të detyrohet të bëjë diçka që nuk mund ta bëjë. Por ne do të dëshironim që negociatorët të negocionin me vullnet të mirë për një marrëveshje që mund të çojë në njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës dhe në një rrugë drejt Evropës. Shtetet e Bashkuara nuk do të vendosin ose diktojnë se cila do të jetë sfera e negociatave.

Zëri i Amerikës: Disa ekspertë në Uashington, pretendojnë se ekziston një draft marrëveshje mes Presidentëve Vuçiç dhe Thaçi që përfshin shkëmbimin e territoreve dhe kjo marrëveshje është gati t’i paraqitet publikut. A keni njohuri për këtë?

Matthew Palmer: Nëse ekziston një draft marrëveshje, nëse ekziston një marrëveshje gjithpërfshirëse që është gati për nënshkrim, unë nuk e kam parë.

Zëri i Amerikës: A keni dëgjuar për këtë?

Matthew Palmer: Persona të njëjtë që flasin me ju, flasin edhe me mua, duke më thënë të njëjtën gjë. Unë mendoj se ende ka shumë gjëra për të cilat duhet negociuar. Kështu që, rikthimi i palëve në tryezën e bisedimeve është hapi i parë.

Zëri i Amerikës: Por a ka ndonjë ide ose marrëveshje reciproke që mund të arrihet bazuar në shkëmbimin e territoreve? A keni njohuri për këtë?

Matthew Palmer: Sigurisht që palët kanë biseduar për një kohë të gjatë se cilat janë parametrat e një marrëveshjeje. Nuk e di se cilat janë çështjet thelbësore sa i përket territorit ose ndonjë komponenti të veçantë të kësaj. Çdo marrëveshje që do të arrihet do të jetë gjithëpërfshirëse, do të ketë komponente politike, të sigurisë, ekonomike, tregtare, kulturore, për shembull kur është fjala për pronën e kishës ortodokse në Kosovë. Pra, unë mendoj se përqëndrimi vetëm te hartta dhe territoret e zhvendos mjaft vëmendjen nga domethënia e vërtetë e marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin. Përkufizimi i normalizimit është përgjegjësi e palëve. Dhe ato mund ta bëjnë këtë vetëm në tryezën e dialogut.

SHBA tërhiqet nga traktati i forcave bërthamore

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të premten nga traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) pasi Moska refuzoi të shkatërrojnë raketat e reja të prodhuara prej saj, për të cilat NATO-ja thotë se shkelin paktin.

Rusia nuk arriti t’i rikthehej pajtueshmërisë së plotë e të verifikueshme përmes shkatërrimit të sistemit të ri të raketave që nisen nga toka (SSC-8 ose 9M729), me rreze të mesme veprimi” tha në një deklaratë sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Përgjegjësia për prishjen e traktatit është vetëm e Rusisë“, shtoi ai.

Zoti Pompeo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara: “nuk do të jenë palë e një traktati që është shkelur qëllimisht nga Rusia. Mosrespektimi nga Moska e kushteve të këtij pakti rrezikon interesat kryesore të SHBA-së pasi prodhimi dhe dislokimi i një sistemi raketash që shkel traktatin, paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë“.

Të enjten, presidenti amerikan Donald Trump tha se shpresonte në arritjen e një marrëveshjeje të re për të zëvendësuar paktin historik të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Rusia kërkon të bëjë diçka me traktatin bërthamor dhe unë nuk kam kundërshtim. Ata do të donin të bënin diçka dhe unë gjithashtu“, tha zoti Trump duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës të enjten pasdite.

Por duke folur në ambjentet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë përpara se të hipte në helikopterin presidencial zoti Trump tha se “nuk kishte diskutuar rreth traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi” gjatë një bisede që kishte pasur një ditë më parë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë deklaratës së tij zoti Pompeo i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës “t’i bashkohen mundësisë për të dhënë rezultate reale në fushën e sigurisë për vendet e tyre dhe për të gjithë botën“.

Me skadimin e traktatit, bota humbet “një mekanizëm të paçmueshëm që frenon luftën bërthamore”, u tha gazetarëve të enjten Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres. “Kjo ka të ngjarë të rrisë dhe jo të zvogëlojë kërcënimin që paraqesin raketat balistike”, tha ai.

Për muaj të tërë zyrtarët amerikanë kanë shprehur pakënaqësinë që Rusia nuk i dëgjoi thirrjet e zyrtarëve në Uashington dhe në Evropë për t’i dhënë fund shkeljes së traktatit.

Zyrtarët rusë pretendojnë se ata i kanë respektuar rreptësisht kushtet e traktatit dhe nuk kanë lejuar shkelje.

Një muaj më parë Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi ligjin që pezullonte pjesëmarrjen e vendit të tij në traktat, pesë muaj pasi administrata Trump ndërmori një hap të ngjashëm.

Pakti ka qenë një shtyllë për sigurinë evropiane për më shumë se 30 vjet. Ai ndalon prodhimin dhe dislokimin e raketave bërthamore me rreze veprimi prej 500 në 5,500 kilometra. Udhëheqësit evropianë, duke iu frikësuar një gare të re armatimi me prishjen e traktatit, i kanë bërë thirrje Uashingtonit dhe Moskës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në përpjekje për ta ruajtur atë.

Marrëveshja e vitit 1987 u nënshkrua nga Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev. Falë saj, dy vendet u angazhuan të eleminojnë arsenalin e raketave me rreze të mesme veprimi. za

Përplasjet Trump-Cummings për Baltimorën

Një luftë fjalësh mbi njëjavore vazhdon mes Presidentit Donald Trump dhe njërit prej Ligjvënësve më me peshë që po heton Shtëpinë e Bardhë – Ligjvënësit Elijah Cummings, i shtetit Merilend. Presidenti ka kritikuar Baltimorën, distriktin e këtij Ligjvënësi, si një “rrëmujë e infektuar nga minjtë dhe brejtësit”. Këto komente u kriktikuan si raciste. Baltimora, e ndodhur vetëm një orë larg kryeqytetit amerikan, dikur lulëzonte si një qytet industrial. Sot, si shumë qendra urbane, Baltimora përballet me tensione racore, krimin, pabarazinë ekonomike dhe papunësinë e lartë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti, vizitoi Baltimorën dhe përgatiti materialin në vazhdim.

Katër vite më parë, qyteti Baltimorë, në shtetin Merilend, u dogj dhe farmacitë u plaçkitën kur plasën trazirat pasi një i arrestuar afrikano-amerikan vdiq ndërsa mbahej nga policia. Dyqanet janë në distriktin e Ligjvënësit Elijah Cummings. Sot, dyqanet janë rindërtuar, por tensionet nën sipërfaqe vazhdojnë.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter se distrikti i Ligjvënësit Cummings është “një rrëmujë e infektuar nga minjtë dhe brejtësit” ku askush nuk dëshiron të jetojë. Disa i kritikuan këto komente si një goditje e padrejtë ndaj një qyteti me shumicë afrikano-amerikane. Të tjerë panë diçka të vërtetë në to.

“Vrasjet dhe siç tha ai (Presidenti Trump), minjtë dhe gjithçka tjetër. Na duhet një Baltimorë krejt e re. Duhet bërë nga e para”, thotë Rob, një banor i Baltimorës.

Këtu ka blloqe të tëra të pabanuara. Janë vetëm një pjesë e 17 mijë shtëpive të braktisura në Baltimorë. Por, disa thonë se zënka mes Presidentit Trump dhe Ligjvënësit Cummings nuk ka të bëjë me këtë gjendje të dëshmpëruar.

Kim Trueheart drejton një organizatë joqeveritare në distriktin e Ligjvënësit Cummings. Ajo thotë se Presidenti është i zemëruar me zotin Cummings pasi ai drejton Komisionin për Mbikqyrjen e Ekzekutivit që po heton administratën dhe marrëveshjet e biznesit të Presidentit Trump. Ligjvënësi Cummings ka kritikuar gjithashtu ashpër kushtet në të cilat mbahen emigrantët në kufi.

“Ç’domethënie ka kur fëmijët rrinë mbi shtresa të ndotura me jashtëqitje?”, u shpreh gjatë një seance dëgjimore Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings.

Ndërsa shumë e shohin zënkën Trump – Cummings si një duel politik me intonacione racore, të tjerë shpresojnë që fokusi tek qyteti Baltimorë mund të sjellë ndryshimin.

“Ndoshta në vend që ta ulim qytetin tonë, më mirë të bashkohemi dhe ta përmirësojmë”, thotë një banore e Baltimorës.

Zonja Trueheart thotë se të rinjve të Baltimorës u duhen vende pune. Ajo përmend fëmijët që ofrojnë të lajnë xhamat e makinës për t’iu dhuruar ndonjë lek.

“Më pëlqen që nuk rrinë duarkryq. Nuk po mundohen të vjedhin. Kanë dalë të punojnë. Sfida është si t’u japim punë legjitime”, thotë zonja Trueheart.

Ndërsa Presidenti Trump e ka përqëndruar mërinë e tij ndaj lagjeve afrikano-amerikane të Baltimorës, distrikti i Ligjvënësit Cummings shtrihet edhe në rrethinat më të begata. Vetëm 20 kilometra nga qendra e Baltimorës sheh rrugë të sigurta dhe plot gjelbërim. Si shumë qytete të tjera të mëdha, Baltimora mishëron dy realitete: njëri prej të cilëve po thërret për ndihmë.


Send this to a friend