Profesori amerikan i “John Hopkins University” dhe eksperti për çështjet që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, thotë se do të jetë i lumtur nëse vërtetë në takimin e 27 qershorit në Washington mes Kosovës dhe Serbisë do të diskutoheshin problemet ekonomike mes dy shteteve.
Kështu ka thënë Serwer në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, i pyetur rreth temave që do të diskutohen në Shtëpinë e Bardhë.
“Do të jem i lumtur të shoh që fokusi i takimeve në Washington të jenë çështjet ekonomike, barrierat tregtare jotarifore si dhe gjithashtu marrëveshjet ‘teknike’ të pa implementuara në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Ju duhet t’i pyesni presidentët nëse ata janë duke udhëtuar për një qëllim të tillë. Grenell thotë se po.”, ka thënë Serwer për Express.
Esperti amerikan ndërkohë e sheh si shprehje të vullentit të mirë për ndërtim të mirëbesimit, faktin që Kosova dhe Serbia kanë hequr dorë nga disa qëndrime dhe synime të tyre në prag të udhëtimit në Washington.
Sipas tij, Serbia do të duhej të lobonte për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare në rast se dëshiron të tregojë fqinjësi të mirë.
“Supsendimi i kampanjës së çnjohjeve dhe ajo rreth kërkimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare janë veprime për ndërtimin e mirëbesimit me pak pasoja, përderisa është thënë që do të zgjasin deri në takimin (e Washingtonit). Nuk mendoj që zgjatja e tyre do të ishte një ide e mirë. Nëse Serbia dëshiron të demonstroj fqinjësi miqësore, duhet të sponzorizojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar tutje profesori amerikan.
I pyetur rreth takimit të Vuçiqit me Vladimir Putinin në Moskë një ditë para udhëtimit për në Washington dhe rreth asaj nëse zhvillimet paraprake demantojnë deklarimet e Grenellit për një “Takim për Ekonomi” në Shtëpinë e Bardhë, Serwer thotë se për një gjë të tillë duhet pyetur Vuçiq.
Derisa shton se rreshtimi në anën e Moskës kundër Perëndimit nuk është asgjë e re dhe se është një taktikë klasike e Serbisë që megjithatë thotë se e pengon drejt anëtarësimit në BE.
“Ju duhet ta pyesni presidentin Vuçiq. Ai vazhdimisht po e ben të qartë që nuk do të braktisë rehatinë e tij me Putinin në favor të një radhitje krahas Perëndimit. Loja me Moskën kundër Perëndimit është një sjellje klasike mbrojtëse që do të parandalojë Serbinë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Sa i përket deklartave të fundit të Grenell se ideja për korrigjim të kujfijve ishte politikë e John Bolton dhe jo e presidentit Trump, Serwer thotë se mbase një qëndrim i tillë tregon që emisari i Trump e ka kuptuar që lëvizja e kufijve dhe ndarja e Kosovës ishte ide e keqe.
Megjithatë thotë se duhet pritur të shihet se çfarë do të ndodh në takimin e 27 qershorit në Washington, meqë sipas tij adminsitrata e Trump nuk shquhet për thënien e të vërtetës.
“Unë mendoj që ndoshta Grenell e ka kuptuar që ndarja ishte një ide e keqe, e që do të ishte mirë nëse është e vërtetë. Por e vërteta nuk është vlerë e kësaj administrate. Do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë prodhon takimi në Washington”, ka përfunduar Serwer./Express/
Amy Klobuchar njoftoi se ka hequr dorë nga kandidimi për të qenë Nënpresidente dhe i ka kërkuar kandidatit të mundshëm të demokratëve për garën presidenciale, Joe Biden, të zgjedhë një grua me ngjyrë për këtë post. Senatorja e Minesotës tha të enjten se ajo ia kishte bërë këtë sugjerimin zotit Biden gjatë një bisede telefonike të mërkurën.
Zoti Biden e ka bërë tashmë të ditur se do të zgjedhe një grua për postin e Nënpresidentit.
“Mendoj se ky është një moment për të vendosur një grua me ngjyrë në atë pozitë” tha zonja Klobuchar për rrjetin televiziv MSNBC. “Nëse doni ta shëroni kombin, kjo është e mënyra e sigurt për ta bërë këtë“, tha ajo.
Në një postim në twitter të enjten zoti Biden vlerësoi zonjën Klobuchar duke përmendur “kurajon dhe vendosmërinë” e saj. Ai tha se: “me ndihmën tuaj, ne do ta mposhtim Donald Trump”.
Shanset e zonjës Klobuchar për të kandiduar si Nënpresidente në emër të demokratëve u zvogëluan pas vdekjes së George Floyd. Vite më parë ajo ka shërbyer si prokurore në qarkun që përfshin Mineapolisin dhe gjatë asaj periudhe, më shumë se 20 persona, që i përkisnin kryesisht komuniteteve pakicë, humbën jetën në ndërveprime me policinë.
Vdekja muajin e kaluar e zotit Floyd shkaktoi protesta në të gjithë vendin dhe nxiti kritika se zonja Klobuchar në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme nuk kishte paditur asnjë prej oficerëve të përfshirë në vdekjet e këtyre qytetarëve. Oficeri i policisë Derek Chauvin, nën akuzë për vrasjen e George Floyd ka qenë i përfshirë në një nga ato raste, kur policia qëlloi me armë zjarri për vdekje në vitin 2006 një person të akuzuar se kishte qëlluar me thikë disa persona të tjerë si dhe se i kishte drejtuar një armë zjarri policisë.
Zonja Klobuchar, 60 vjeç, ishte një nga pretendetet për të siguruar kandadimin në emër të demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Ajo u tërhoq dhe deklaroi mbështetjen e saj për zotin Biden përpara përballjes vendimtare të njohur si “Super Marta” zhvilluar më 3 mars, vendim që erdhi pas vështirës për të siguruar mbështetje nga votuesit e komunitetit afrikano-amerikan të cilët janë vendimtarë për fitoren e demokratëve në zgjedhje. Rezultati i saj më i mirë ishte ai shënuar në Nju Hampshër, që dominohet nga amerikanët e bardhë, ku ajo u rendit e treta.
Senatorja prej tre mandatesh u detyrua të anulojë një nga tubimet përfundimtare të fushatës së saj pasi aktivistët e “Black Lives Matter” dhe jo vetëm, protestuan në Minesota kundër mënyrës se si ajo e ka trajtuar një çështje për vrasje kur ishte prokurore, gjë që çoi në dënimin me burgim të përjetshëm të një adoleshenti afrikano-amerikan.
Ligjvënësi James Clyburn i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i zotit Bidenit bëri të ditur disa ditë pas vdekjes së zotit Floyd se ai besonte se zonja Klobuchar do të ishte një zgjedhje më pak e mundshme për Nënpresidente, megjithëse besonte se ajo ishte “absolutisht” e kualifikuar për këtë detyrë, siç tha ai.
“Kjo është një periudhë shumë e vështirë për të“, tha zoti Clyburn.
Edhe para vdekjes së zotit Floydit, aktivistët i kanë kërkuar zotit Biden të konsiderojë mundësinë për të zgjedhur një grua me ngjyrë, duke thënë se kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një koalicioni të përbërë nga përfaqësues që i takojnë racave të ndryshme si dhe do të motivojë njerëzit, veçanërisht votuesit e rinj. Të tjerët aktivistë i kanë kërkuar zotit Biden të zgjedhë një kandidat progresiv që mund të siguronte mbështetje nga votuesit që mbështesin Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren. Ashtu sikurse zoti Biden, zonja Klobuchar nuk u pajtua me zotin Sanders dhe zonjën Warren gjatë fushatës për çështje madhore të tilla si kujdesi shëndetësor.
Demokratë të cilët janë në dijeni të procesit i thanë “Associated Press” javën e kaluar se lista e personave që po konsiderohen për postin e Nënpresidentes është ngushtuar në gjashtë persona. Mes tyre janë në diskutim Elizabeth Warren, Kamala Harris dhe Susan Rice, kjo e fundit ka shërbyer si këshilltare për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Barack Obama. Zonja Warren është një amerikane e bardhë ndërsa si zonja Harris dhe zonja Rice janë afrikano-amerikane. Zoti Biden ka bërë të ditur se do ta njoftojë vendimin e tij për postin e Nënpresidentit më 1 gusht. zëri i amerikës
Shtetet e Bashkuara do të shënojnë të premten 155-vjetorin e dhënies fund të skllavërisë, një festë jozyrtare, të cilës këtë vit i rritet rëndësia, teksa amerikanët përballen me një seri të vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga zyrtarët policorë.
Kjo ditë do të shënohet përmes protestave, shërbimeve fetare dhe organizimee kulturore, për të rikujtuar 19 qershorin e vitit 1865 kur një gjeneral sindikate ka shkuar në Teksas për të informuar një grup skllavësh për lirinë e tyre, bazuar në Njoftimin e Emancipimit.
Ky dokument ishte nënshkruar dy vjet më parë nga presidenti i atëhershëm, Abraham Lincoln.
Kjo ditë, që ndryshe njhet si Dita e Emancipimit, ishte shpallur ditë feste në Tekasa më 1980, derisa tani shënohet në 46 shtete tjera, përfshirë Uashingtonin, ndonëse praktikat ndryshojnë.
Shumë shtete kanë anuluar festën këtë ditë, për shkak të pandemisë me koronavirus, mirëpo të tjerat i kanë dhënë vëmendje të veçantë, në kohën kur janë shtuar diskutimet për racizmin.
Kjo ditë shënohet në më pak se një muaj prej vrasjes së afrikano-amerikanit, George Floyd, i cili është vrarë më 25 maj, kur një zyrtar policor i ka bërë presion me gju në qafë dhe ka injoruar thirrjet e Floydit se “nuk mund të marrë frymë”.
Vdekja e tij ka nxitur protesta të mëdha, në të cilat është bërë thirrje për ndryshime rrënjësore në taktikat policore.
Një tjetër ngjarje që ka rritur tensione ka qenë edhe vdekja e afrikano-amerikanit, Rayshard Brooks, nga një zyrtar i bardhë policor, derisa ai ka tentuar t’i ikë arrestimit nga policia. rel
Presidenti i SHBA Donald Trump ndërmori një sulm të ashpër të enjten kundër ish-këshilltarit të tij të sigurimit kombëtar John Bolton, pas botimit prej zotit Bolton të një libri të ri, ku e quan presidentin një komandant të përgjithshëm “të paparashikueshëm” dhe “të painformuar, aq sa të habit”.
Në një seri komentesh të hidhura në Twitter, Presidenti Trump tha se libri i zotit Bolton është “një përmbledhje gënjeshtrash dhe historish të sajuara.” “Të gjitha janë me qëllimin për të më paraqitur në dritë të keqe. Shumë prej deklaratave qesharake që ai më atribuon nuk janë bërë kurrë, janë trillime të pastra. Thjesht përpiqet të marrë hak për faktin që e shkarkova, si një qenush i neveritshëm që është,” shkruan Presidenti Trump.
Udhëheqësi amerikan e quan zotin Bolton “një budalla të pakënaqur e të mërzitshëm që donte vetëm e vetëm të bënte luftë. Ai kurrë nuk kishte idenë, nuk ia varte njeri dhe u hodh tej, për fat të mirë. Sa i trashë! ”
Presidenti Trump rrallëherë ka pranuar gabime gjatë mandatit të tij, por ai shkroi në Twitter se në vitin 2018, kur Bolton sapo kishte filluar punën në Shtëpinë e Bardhë si dhe vitin pasardhës, ai duhet ta kishte shkarkuar atë menjëherë dhe pa mëdyshje!” Ai tha se zoti Bolton “në mënyrë të trashë” bëri komente në një program televiziv lajmesh lidhur me pikëpamjen e SHBA për të ardhmen e Koresë së Veriut, gjë që komplikoi negociatat e Presidentit me diktatorin e Phenianit, Kim Jong Un, të cilat sapo kishin filluar.
Kërkohet urdhri i gjykatës
Shtëpia e Bardhë po kërkon një urdhër gjykate për të bllokuar botimin e librit prej 577 faqesh me titull “Dhoma ku ndodhi”, i planifikuar të dalë në treg javën e ardhshme. Administrata thotë se libri përmban informacion konfidencial të sigurisë kombëtare që duhet të mbahet sekret edhe pse disa media amerikane morën kopje paraprakisht dhe nisën të raportojnë gjerësisht rreth akuzave të zotit Bolton.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany e quajti vendimin e zotit Bolton për të mos ndryshuar planet e botimit të librit “absolutisht të tmerrshëm” dhe “të neveritshëm”.
Ajo hodhi poshtë si të pavërtetë atë që duket se përbën akuzën më të fortë të zotit Bolton, se në një samit të Grupit të 20-s në qershor 2019, Presidenti Trump kërkoi ndihmën e udhëheqësit kinez Xi Jinping për të fituar një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020.
Rrëfimet Bombastike në Librin e Boltonit
Zoti Bolton, i cili mori një paradhënie prej 2 milionë dollarësh për librin, thotë se Presidenti Trump i kishte kërkuar homologut kinez Xi të blinte më shumë produkte bujqësore amerikane nga rajone në qendër të vendit, për ta ndihmuar presidentin të sigurojë mbështetje në shtetet rurale.
Zoti Bolton tha se Presidenti Trump “në mënyrë shokuese e ktheu bisedën tek zgjedhjet presidenciale, duke aluduar për fuqinë ekonomike të Kinës, për të ndikuar në fushatë, duke iu lutur zotit Xi të garantonte fitoren e tij. Ai theksoi rëndësinë që kanë fermerët dhe rritja e sasisë së sojës dhe grurit që do të blinte Kina, në rezultatin e zgjedhjeve. Do t’i hidhja në letër fjalët ekzakte të zotit Trump, por procesi qeveritar i kontrollit para botimit të librave rezultoi në tjetër vendim”.
Bazuar në rrëfimin e zotit Bolton, pretendenti demokrat në zgjedhjet e nëntorit, ish-nënpresidenti Joe Biden akuzoi presidentin se “ka treguar gatishmëri për të shitur vlerat tona më të vyera demokratike për premtimin bosh të një marrëveshjeje kalimtare tregtie që do ta shpëtonte nga beteja shkatërrimtare e tarifave, e cila ka dëmtuar shumë rëndë fermerët, kompanitë e prodhimit industrial dhe konsumatorët””.
“Nëse këto pretendime janë të vërteta,” tha zoti Biden përmes një deklarate, “nuk kemi të bëjmë thesht me diçka moralisht të dënueshme, por me shkelje nga Donald Trumpi të detyrës së shenjtë kundrejt popullit amerikan për të mbrojtur interesat e Amerikës dhe vlerat tona”.
Bazuar në bisedat e tij me zotin Trump dhe pranisë së tij në diskutime, John Bolton ngre pretendimin se presidenti mendonte se Finlanda ishte pjesë e Rusisë dhe nuk ishte në dieni se Britania zotëron armë bërthamore. Zoti Bolon thotë se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i kishte kaluar një copë letër ku e ofendonte me fjalë vulgare presidentin, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un në takimin e nivelit të lartë në Singapor.
Zoti Bolton shkruan se Presidenti Trump e kishte zakon “të vinte në pikëpyejte motivet e të tjerëve, shihte komplote pas çdo guri dhe vazhdoi të mbetej i painformuar për mënyrën si veprohet në Shtëpinë e Bardhë, aq më tepër për mënyrën si operon qeveria federale”. John Bolton ngre pretendimin se presidenti gjithmonë udhëhiqej nga “instinkti personal” dhe shihte mundësi për sjellje si në një emision “reality TV”.
Kritika nga demokratët
Përveç reagimit të Presidentit Trump ndaj librit, kritika ka pasur edhe nga ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili udhëhoqi vjet me sukses përpjekjet për ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump për komunikimet e tij me Ukrainën. Presidenti u lirua nga akuzat në shkurt.
Zoti Schiff komentoi në Twitter se stafi i zotit Bolton ishte thirrur vjet për të dëshmuar për sjelljen e presidentit gjatë procesit për shkarkimin e tij të mundshëm vjet. Ata u paraqitën para ligjvënësve për dëshmi.
“Ata rrezikonin të humbisnin shumë, por treguar kurajo,” tha zoti Schiff. “Kur i kërkuan zotit Bolton të dëshmonte, ai refuzoi dhe tha se do të ngrinte padi në gjyq nëse i dërgohej zyrtarisht thirrje për dëshmi”.
“Në vend të dëshmisë, ai i ka ruajtur rrëfimet për të botuar libër. John Bolton mund të jetë autor, por ai nuk është kurrsesi patriot,” shkruan zoti Schiff. zëri i amerikës
Facebook-u ka hequr me dhjetëra reklama zyrtare të presidentit Donald Trump, duke thënë se ato shkelin politikën e saj kundër akteve të organizuara të urrejtjes.
“Ne nuk lejojmë simbole që përfaqësojnë organizata që mbështesin urrejtjen apo ideologji të urrejtjes, përveçse në ato raste kur ato janë paraqitur me një kontekst apo dënohen për aktet e tyre“, tha të enjten kreu i Politikës për Sigurinë i Facebook-ut, Nathaniel Gleicher, përpara Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Kjo është ajo që pamë në këtë rast me këtë reklamë dhe kudo që do të përdoret ky simbol, do të ndërmarrim të njëjtat veprime“, shtoi ai.
Më herët gjatë ditës në twitter shpërtheu një polemikë në lidhje me reklamat “Stop Antifës”, krijuar nga përfaqësues të fushatës për rizgjedhje të presidentit amerikan. Një grup që mbron të drejtat e hebrejve liberale ishte ndër ata që vunë re se trekëndëshi i përmbysur në ngjyrë të kuqe që paraqitej në reklamë, ishte një shenjë që dikur përdorej nga nazistët për të përcaktuar të burgosurit politikë në kampe përqendrimi.
“Nuk kemi asnjë lidhje me këtë gjë“, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere për “Zërit të Amerikës”, duke ia përcjellë çështjen zyrtarëve të fushatës politike të zotit Trump.
Reklamat në Facebook, të cilat janë parë nga më shumë se një milion përdorues, u shfaqën në llogarinë zyrtare të Presidentit, atë të Nënpresidentit Mike Pence si dhe në llogarinë zyrtare të fushatës së zotit Trump.
“Banda të rrezikshme të grupimeve të majta po enden nëpër rrugët tona dhe po shkaktojnë kaos total“, shkruhej në reklamat që shfaqnin një trekëndësh të kuq poshtë tekstit.
Presidenti ka bërë thirrje që Antifa të shpallet si një organizatë e brendshme terroriste dhe ka pohuar se ky grupim është përfshirë në akte të dhunshme gjatë demonstrave të fundit civile në Shtetet e Bashkuara, të cilat u nxitën nga vdekja në Mineapolis e një afrikano-amerikani.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se përdorimi i simbolit në reklamat e tij kishte për qëllim të tregonte rreziqet e lëvizjes antifashiste dhe nuk ishte një referencë e drejtpërdrejtë për të burgosurit e kampeve naziste të përqendrimit.
“Trekëndëshi i kuq i përmbysur është një simbol i përdorur nga Antifa ndaj dhe u përfshi në një reklamë për Antifën. Tërheqim vëmendjen se Facebook-u ka ende në përdorim një imazh të vogël dixhital (emoji) të një trekëndëshi të kuq të përmbysur, i cili duket tamam i njëjtë, ndaj dhe është e çuditshme që ata kanë shënjestruar vetëm këtë reklamë“, u përgjigj drejtori i komunikimit të fushatës së zotit Trump, Tim Murtaugh.
“Imazhi gjithashtu nuk është përfshirë në bazën e të dhënave të simboleve të urrejtjes të Ligës Anti-Denigrim. Eshtë ironike që u desh një reklamë e zotit Trump për të detyruar median që të pranojë tërthorazi se Antifa është një grup që nxit urrejtje”, shtoi ai.
Lidhja Anti-Denigrim (ADL), një organizatë 107-vjeçare hebreje e cila lufton diskriminimin dhe paragjykimin, thekson se baza e të dhënave të saj nuk përbëhet nga simbole historike naziste, por përkundrazi rendit simbole që zakonisht përdoren nga ekstremistët modernë dhe supremacistët e bardhë në Shtetet e Bashkuara.
Organizata tha gjithashtu ndërsa disa anëtarë të Antifës e kanë përdorur trekëndëshin e kuq, ai nuk është një simbol i zakonshëm i lidhur me grupin dhe përdorimi i tij është i ngjashëm me përdorimin e trekëndëshit rozë nga disa grupe LGBTQ.
“Përdorimi i një simboli të kampeve të përqendrimit nga pasardhësit e kategorive të të persekutuarve, si antifashistët si dhe ata që përfaqësojnë komunitetin LGBTQ, është shumë i ndryshëm nga dikush që përdor një imazh të një kampi nazist përqendrimi për të etiketuar armiqtë e dikujt“, thuhej në një deklaratë të organizatës.
Shefi ekzekutiv i Lidhja Anti-Denigrim Jonathan Greenblatt i tha “Zërit të Amerikës” se pavarësisht nëse zyrtarët e fushatës së zotit Trump ishin në dijeni ose jo të historisë apo kuptimit të simbolit, ta përdorësh atë për të sulmuar kundërshtarët e presidentit “është fyese dhe thellësisht shqetësuese”. “Nuk është e vështirë për dikë që të kritikojë kundërshtarin politik pa përdorur imazhe të epokës naziste. Ne i lutemi zyrtarëve të fushatës së zotit Trump të tregojnë më shumë kujdes dhe të njihen me kontekstin historik përpara se ta bëjnë një gjë të tillë. Padija nuk është një justifikim për përdorimin e simboleve të urrejtjes”.
Zyrtarët e fushatës së zotit Trump theksuan se simboli është në përdorim të gjerë si një imazh dixhital (emoji) në median sociale që paraqitet si ndihmë për të lundruar në internet apo dhe si një lëvizje që trehon rënien e aksioneve.
Reklama të tjera të fushatës së zotit Trump me gjuhë identike por që përmbajnë imazhe të ndryshme, që përfshijnë shenja ndalimi e pikëçuditëse, vazhdonin të shfaqeshin në Facebook pas çaktivizimit të reklamave me trekëndëshin e kuq.
Sipas historianëve, trekëndëshi i kuq i përmbysur u vu për herë të parë në përdorim nga nazistët në vitet 1930 për të identifikuar komunistët. Ai u përdor gjithashtu për të treguar social-demokratët, liberalët dhe anëtarët e tjerë të partive opozitare.
Një trekëndësh i kuq i përmbysur mbi një trekëndësh të verdhë ishte një simbol që të burgosurit politikë hebrenj u detyruan të vendosnin prej nazistëve.
Një me kartëmonedhë 100 dollarëshe me yllin e Davidit me gjashtë cepa në të ku ishte vizatuar kandidatja presidenciale e Partisë Demokratike Hillary Clinton u postua në twitter dhe u fshi nga zoti Trump gjatë fushatës së vitit 2016 ndaj ish-sekretares së Shtetit. Kandidati republikan Donald Trump deklaroi aso kohe se shenja nuk ishte antisemitike sepse ylli përfaqësonte simbolin e një sherifi policie. zëri i amerikës
Shefi i ri ekzekutiv i agjencisë që mbikëqyr Zërin e Amerikës ka shkarkuar drejtuesit e organizatave të tjera të agjencisë, përfshirë shefat e Rrjeteve të Transmetimit në Lindjen e Mesme, Radios Azia e Lirë dhe Radio Evropa e Lirë / Radio Liria. Drejtoresha e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj, Sandy Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën.
Shefi ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale USAGM, Michael Pack i bëri shkarkimet përmes njoftimeve me këta drejtues në orët e vona të së mërkurës.
Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se zoti Pack nuk dha arsye specifike për secilin largim nga puna, duke thënë vetëm se ai po vepron në përputhje me autoritetin e tij si shefi ekzekutiv i agjencisë.
Senatori Bob Menendez, demokrati i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kritikoi veprimet e zotit Pack, duke thënë se këto akte konfirmojnë se “ai është në një mision politik për të shkatërruar pavarësinë e agjencisë USAGM dhe për të minuar rolin e saj historik”.
“Shkarkimi në grup i krerëve të rrjeteve të Agjencisë dhe shpërndarja e bordeve drejtuese për të vënë në vend të tyre aleatë politikë të Presidentit Trump, është një shkelje e hapur e historikut dhe misionit të kësaj organizate, çka mund të jetë e pariparueshme. Ky sulm është fatkeqësisht rasti më i freskët, por jo i fundit, në përpjekjet e administratës Trump për të shndërruar institucionet amerikane të rrënjosura në parimet e demokracisë në vegla për axhendën personale të Presidentit,” tha Senatori Menendez në një deklaratë të mërkurën vonë.
Alberto Fernandez, i cili drejtonte Rrjetet e Transmetimit në Lindjen e Mesme, tha se ishte krenar për punën që bënë këto rrjetet gjatë mandatit të tij tre-vjeçar dhe i nderuar që kishte punuar me gazetarë të talentuar në Shtetet e Bashkuara, Dubai, Bejrut dhe vende të tjera. Ai gjithashtu nënvizoi sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen agjencitë përbërëse të USAGM për mbulimin e lajmeve për shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit në të gjithë botën.
“U përcjell urimet e mia atyre që do të fillojnë punë në USAGM,” komentoi përmes Twitterit zoti Fernandez të mërkurën vonë. “Shpresoj se e kanë të qartë se çfarë po bëjnë. Ata kanë një shans të menjëhershëm për të bërë ndryshime. Dje qeveria irakene mbylli transmetuesit e Radio Sawa-s në Bagdad, Basra dhe Karbala dhe kërcënoi se do të sekuestronte objekte që janë pronë e qeverisë amerikane.”
Më herët të mërkurën zoti Pack komunikoi për herë të parë me punonjësit e Zërit të Amerikës që pas konfirmimit nga Senati javën e kaluar, duke u zotuar në një email për të respektuar rolin e tij të mandatuar për të ofruar gazetari të pavarur në të gjithë botën, edhe pse USAGM është një agjenci e financuar nga qeveria amerikane.
Pack shkruante se ai është “plotësisht i përkushtuar për të respektuar statutin e Zërit të Amerikës … dhe pavarësinë e gazetarëve tanë heroikë në të gjithë botën”.
Michael Pack u emërua nga Presidenti Donald Trump më shumë se dy vjet më parë për të drejtuar USAGM. Por emërimi i tij hasi në rezistencë të fortë nga demokratët. Senati i kontrolluar nga republikanët votoi vetëm dy javë më parë për të miratuar një mandat tre vjeçar për zotin Pack për të kryesuar USAGM.
Javët e fundit, zoti Trump ka kritikuar Zërin e Amerikës për mbulimin e lajmeve lidhur me reagimin e Kinës gjatë krizës së koronavirusit. Kur u pyet për emërimin e zotit Pack më 15 maj, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës po menaxhohet në mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Janë e kundërta e Zërit të Amerikës”.
Zoti Pack nuk përmendi Presidentin Trump apo polemikat e fundit në emailin e tij për stafin. Po ashtu ai nuk tha se kë planifikon të emërojë si drejtor të Zërit të Amerikës.
Ish-drejtoresha e VOA, Amanda Bennett ka folur me vendosmëri në mbrojtje të gazetarisë së pavarur në Zërin e Amerikës, duke kundërshtuar kritikat e fundit të Presidentit Trump dhe duke mbrojtur misionin dhe raportimin e agjencisë së lajmeve, që financohet me fonde federale.
“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione të bazuara tek faktet, të vërteta, të besueshme,” tha zonja Bennett. Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane garanton lirinë e fjalës.
“Për këtë arsye më shumë se 80 për qind e audiencës sonë prej 280 milionë vetësh në 47 gjuhë në më shumë se 60 vende thonë se ata e konsiderojnë punën tonë si të besueshme,” tha zonja Bennett.
Disa organizata për lirinë e shtypit kanë shprehur shqetësim për zotin Pack në rolin e shefit ekzekutiv të USAGM, duke përmendur punën e tij si regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-këshilltarit të Presidentit Trump, Stephen Bannon dhe duke parashikuar se ai mund të mos i bëjë qëndresë presionit të Shtëpisë së Bardhë për mbulimin e lajmeve në mënyrë të favorshme për presidentin.
Gazeta New York Times shkruante në një artikull redaksional të marten se “Mundësia e shndërrimit të Zërit të Amerikës në një vegël propagandistike të Shtëpisë së Bardhë duhet të jetë e frikshme për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga prirjet politike. Artikulli përfundonte me fjalët “Zoti Trump dëshiron të ketë një altoparlant, jo një mjet diplomatik dhe ai kërkon me ngulm besnikëri”.
Kur zoti Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv, anëtarët e Bordit të Guvernatorëve të Transmetimit, që më parë kontrollonte Zërin e Amerikës dhe rrjetet e tjera si-motra – publikuan përkufizimin e tyre të gazetarisë së pavarur në Regjistrin Federal të akteve të qeverisë.
“Secili nga rrjetet e financuara nga USAGM gëzon pavarësi të plotë redaksionale, në formën që ky term përcaktohet dhe kuptohet nga praktikat më të mira të gazetarisë,” thuhet në deklaratë.
“Pavarësia redaksionale përfshin, por nuk kufizohet vetëm në faktin që vetëm individë brenda rrjetit mund të marrin vendime në lidhje me ndjekjen ose raportimin e lajmeve,” thanë anëtarët e bordit. “Rrjetet e përfshira në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Median Globale, USAGM dhe punonjësit e tyre, duke përfshirë drejtuesit e secilit rrjet, janë plotësisht të mbrojtur nga çdo presion politik ose presion tjetër i jashtëm ose nga procese që do të ishin në kundërshtim me standardet më të larta të gazetarisë profesionale”.
Michael Pack, në mes të të 60-tave, ka mbajtur më parë poste të ndryshme drejtuese në agjenci qeveritare apo publike amerikane. Por vitet e fundit, siç shkruan ai në emailin drejtuar punonjësve të USAGM, ai ka drejtuar një kompani private, Manifold Productions, që ka realizuar 15 dokumentarë që janë transmetuar në SHBA përmes Shërbimit të Transmetimeve Publike.
“Këto filma ishin gjithashtu mënyra ime për të treguar historinë e Amerikës,” shkruante ai. “Megjithëse realizimi i dokumentarëve është proces shumë interesant, unë mezi prisja të kthehesha në transmetimet ndërkombëtare në këtë pikë kritike në historinë tonë”.
Ai shkruante më tej: “kundërshtarët e Amerikës kanë intensifikuar përpjekjet e tyre të propagandës dhe dezinformimit. Ata po promovojnë në mënyrë agresive vizionet e tyre shumë të ndryshme për botën”.
Zoti Pack shkruante se ai do të kërkojë të rrisë moralin ndër punonjësit në USAGM dhe “do të shqyrtojë disa nga problemet që janë shfaqur në media vitet e fundit”.
“Më e rendësishmja: misioni im do të jetë ta bëj agjencinë më efektive,” shkruan shefi i ri ekzekutiv i USAGM, Michael Pack.
Donald Trump i kërkoi Presidentit kinez Shi Gjinping ndihmë që të rizgjidhet president në 2020, shkruan në librin e tij të ri John Bolton, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën Trump, sipas disa pasazheve të librit të publikuara të mërkurën.
Gjatë takimit me zotin Shi në qershor të vitit të kaluar, presidenti “në mënyrë shokuese ndërroi bisedën duke u përqëndruar tek zgjedhjet presidenciale amerikane, duke aluduar mbi mundësinë që kapacitetet ekonomike të Kinës të ndikonin në fushatë dhe duke iu lutur zotit Shi të garantonte fitoren e tij,” shkruan ish-këshilltari i afërt i presidentit në librin e tij të ri që premton të jetë një botim bombastik, sipas personave që e kanë lexuar.
Në pasazhe të botuara nga The Washington Post, The New York Times dhe The Wall Street Journal, zoti Bolton shkruan se Presidenti Trump theksoi rëndësinë e fermerëve amerikanë dhe si do të ndikonte tek rezultati i zgjedhjeve amerikane “shtimi i sasisë së sojës dhe grurit amerikan” që do të blinte Kina. zëri i amerikës
Protestuesit në qytetin Richmond të SHBA-së kanë shkatërruar statujën që përshkruan ushtrinë e Konfederatës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat amerikane njoftuan se statuja Howitzers që përshkruan ushtarin e artilerisë së ushtrisë së Konfederatës që ndodhet në kampusin Monroe Park të Universitetit “Virginia Commonwealth University” u nda nga baza e saj pasi protestuesit mbrëmë e lidhën me litar.
Kjo është statuja katërt që shembet nga protestuesit në Virginia gjatë protestave që filluan pasi afroamerikani George Floyd humbi jetën nga dhuna policore. Ndërkohë edhe tre statujat e tjera të shembura i përkasin simboleve të ushtrisë së Konfederatës.
– Vrasja e Floyd
George Floyd, afro-amerikani 46-vjeç u arrestua nga policia më 25 maj në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai humbi jetën pasi një polic i vendosi për disa minuta gjurin mbi qafën e tij. Vdekja e Floyd ndezi sërish debatin mbi racizmin dhe dhunën policore në vend kundër personave me ngjyrë.
Në protestat që filluan me kërkesën për “reforma në polici” dhe për t‘i “dhënë fund racizmit” ndodhën ngjarje të dhunshme dhe të plaçkitjeve në shumë qytete të mëdha, përfshirë kryeqytetin Washington ndërkohë që nëpër qytete u mobilizuan forcat e Gardës Kombëtare.
Në shumë agjenci lokale policore të qyteteve përfshirë New Yorkun dhe Minneapolisin u ndërmorën hapa për reforma, ndërkohë që edhe presidenti Donald Trump nënshkroi një dekret lidhur me agjencitë policore në përmasa federale.
Numri i personave të vdekur me koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar numrin e ushtarëve amerikanë të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, ndërkohë që shumë shtete në territorin e SHBA-së regjistrojnë rritje të infektimit.
Numri i viktimave, si pasojë e këtij virusi në SHBA, ka shkuar në mbi 116,900, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Kjo shifër është më e madhe sesa e amerikanëve të vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore, 116, 516 – më shumë se gjysma e tyre nga Gripi Spanjoll.
Megjithatë, shumë biznese në gjithë SHBA-në po vazhdojnë të rihapen, pavarësisht pse rreth 23,000 raste të reja të infektimit raportohen në baza ditore.
Rreth 20 shtete kanë raportuar rritje të numrit të të prekurve në dy javët e fundit, përfshirë, Floridan, Teksasin dhe Arizonan.
Shtimi i rasteve të reja, pjesërisht mund t’i kontribuohet rritjes së numrit të testimeve, por ekspertët shëndetësorë thonë se rritja e shkallës së përhapjes së virusit ka të bëjë edhe me rihapje të ekonomisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të jetë i fokusuar në rihapje të ekonomisë dhe insiston se nuk do të ketë mbyllje, edhe pse numri i të prekurve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, ka kaluar në mbi 2.1 milionë.
SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja janë pajtuar për mbajtje të kujfive të mbyllur deri më 21 korrik, duke vazhduar masat e kufizimit në udhëtim.
Për dallim nga këto vende, shumë shtete në Evropë kanë rihapur kufijtë për udhëtarët brenda vendeve të Bashkimit Evropian, pas tre muajve të masave kufizuese.
Evropa fillimisht ka qenë kontinenti i prekur më së keqi nga koronavirusi, mirëpo tani numri i rasteve të reja, i të hospitalizuarve dhe të vdekurve ka rënë në mënyrë dramatike, ndonëse ekonomia është rihapur. rel
Ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka dorëzuar një padi penale, duke kërkuar që ta parandalojë publikimin e libirit të ri të ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, në të cilin tregon kohën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
Në padi është thënë se disa pjesë të librit përmbajnë informacion të klasifikuar, i cili do të mund të shkaktonte “dëm të pariparueshëm” në sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Ky dokument është dorëzuar një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Bolton do ta shkelë ligjin në rast se publikon librin.
Libri i Boltonit, “Dhoma ku ka ndodhur: Kujtime nga Shtëpia e Bardhë”, pritet të publikohet më 23 qershor.
Në padi është thënë se Bolton ka dështuar që ta dorëzojë librin për rishikim para publikimit, duke shkelur kështu marrëveshjet kur ka nënshkruar kontratën e punësimit dhe qasjes në informacion shumë të klasifikuar.
Grupi për të drejtat e njeriut, Unioni Amerikan për Liri Civile, ka thënë se përpjekjet për të penguar librin e Boltonit “do të dështojnë”.
Trump pati shkarkuar Boltonin, nga pozita që kishte në shtator të vitit të kaluar, pavarësisht pse për 17 muaj i ka dhënë qasje të pashembullt në planet ditore të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia botuese, Simon and Schuster, e ka përshkruar përmbajtjen si “libër që Donald Trump nuk dëshiron që ju ta lexoni”.
Sipas skriptës së publikuar nga shtëpia botuese, Bolton e përshkruan administratën Trump si kaotike. rel
Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien tha të martën mbrëma se Shtetet e Bashkuara mezi po presin për takimin e paralajmëruar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në rrjetin twitter zoti O’Brien shkroi se është i kënaqur “të presë udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur me padurim këto diskutime të rëndësishme”, shkroi ai.
Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington pasi kishte marrë “premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.
Ai paralajmëroi se “nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai të hënën.
Zyrtarët më të lartë në Prishtinë dhe në Beograd thanë se do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë por pritjet e tyre janë të ndryshme. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ky proces, “dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump, është për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “njohja e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimesh në Washington”.
Ftesa për takimin në Shtëpinë e Bardhë u bë në ditën kur Bashkimi Evropian nisi për në rajon të dërguarin e tij të Posaçëm Miroslav Lajcak që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet të dyja vendeve.
Bisedimet u pezulluan në vjeshtën e vitit 2018 pasi që Kosova u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe si shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së saj.
Në muajin prill të këtij viti qeveria e ish kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i hoqi tarifat por i zëvendësoi ato me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Kryeministri i ri Avdullah Hoti, i hoqi edhe këto masa duke hapur rrugën për rifillimin e bisedimeve. zëri i amerikës
E diela, 21 qershor, është Dita e Babait në Shtetet e Bashkuara. Marrëdhënia midis babait dhe vajzës evoluon ndërsa vajzat e vogla rriten për tu bërë gra. Ndonjëherë kjo shndërrohet në punë në ekip siç është historia e një babai dhe një vajze që u arrestuan së bashku.
Për Julia dhe Malcolm Young, të drejtat e njeriut janë një pasion i përbashkët.
Kështu që kur babai dhe vajza dëgjuan për një marshim për afrikano-amerikanët që vdiqën të arrrestuar nga policia, ata e dinin se duhet të ndodheshin aty… Edhe gjatë një pandemie.
“Ai dhe nëna ime më rritën që të shqetësohesha vërtet për njerëzit e tjerë, dhe pabarazinë dhe padrejtësitë në botë“, thotë vajza, Julia Young.
Babai dhe vajza kanë një etje për drejtësi sociale, të ndjekur në profesione të ndryshme. Malcolm është një avokat që promovon të drejtat e të burgosurve. Julia jep mësim historinë në kolegj dhe ka shkruar një libër mbi emigracionin.
Në korrik të vitit të kaluar, ata morën pjesë në një protestë për fëmijët emigrantë jashtë Kapitolit të Shteteve të Bashkuara. Julia i dërgoi email babait të saj për një aksion të planifikuar të mosbindjes civile.
“Kështu që ia përcolla babait tim dhe i thashë: – A dëshiron të arrestohemi së bashku?“, tregon Julia.
“Dhe unë i thashë, Julia, një familje që arrestohet së bashku, qëndron së bashku“, thotë Malcolm.
Dhe vërtet u arrestuan. Në kaosin që pasoi, lidhja mes babait dhe vajzës u forcua.
“Ishte një pozicion shumë delikat“, thotë Julia.
“Krahët janë pas shpinës“, tregon Malcolm.
“Pata një reagim emocional kur pashë babanë tim në pranga“, thotë Julia.
“Po na veçonin dhe kërkova të shoh nëse ishte mirë. Dhe pashë që po më shikonte duke më përshpëritur: ‘A je mirë?’ Çfarë mund të jetë më e mirë për një baba sesa të ndjejë shqetësimin e fëmijëve të tij për të?“, thotë Malcolm.
“U shndërrua në një moment solidariteti të qëndroja me të gjithë këta njerëz dhe me babanë tim“, thotë Julia.
Disa muaj më vonë, dueti udhëtoi për në Dilly, Texas, për të intervistuar gratë hispanike që po kërkonin azil në Shtetet e Bashkuara.
“Në një moment, Julia ndjeu se po u kërkoja shumë [[duke i pyetur azilkërkuesit shumë intensivisht]]. Dhe ajo u kthye nga mua dhe më tha: ‘Babi, ajo po ndihet vërtet jokomode. Kjo nuk është mirë”, thotë Malcolm.
“Dhe ndërsa java vazhdoi, unë kuptova se ai është me të vërtetë i aftë të nxjerrë një histori nga njerëz që mund të jenë pothuajse shumë të traumatizuar për të rrëfyer ndodhitë e tyre“, thotë Julia.
Malcolm, i cili filloi të protestojë gjatë Luftës së Vietnamit, thotë se e ardhmja duket e ndritshme ndërsa Amerika përballet me padrejtësinë racore.
“Ndërsa shikon Julia-n dhe të rinjtë e tjerë tani në rrugë në mënyrë paqësore, por duke bërë presion për të avancuar këto kauza, ka shpresë se do të ketë sukses. Nëse nuk erdhi sot apo dje, do të vijë nesër“, thotë Malcolm.
Dhe kjo është një arsye më se e mjaftueshme që ky ekip aktivist të festojë në Ditën e Babait./VOA
Gjykata e Lartë e SHBA deklaroi të hënën se ligjet federale të punësimit ndalojnë diskriminimin ndaj punonjësve LGBTQ, vendim që shënon një fitore të madhe për pakicat seksuale në Amerikë.
Me një rezultat 6-3, gjykata deklaroi se një “punëdhënës që pushon një individ thjesht se është homoseksual ose transgjinor” shkel Nenin VII të Ligjit për të Drejtat Civile të vitit 1964.
Kryetari konservator i Gjykatës së Lartë John Roberts dhe anëtari po konservator Neil Gorsuch, i cili u emërua në këtë post nga Presidenti Donald Trump, iu bashkuan opinionit të shumicës.
Ligji për të drejtat civile thotë se punëdhënësit nuk mund të diskriminojnë “për shkak të seksit”.
Në vitin 2015, Komisioni për Mundësi të Barabarta Punësimi, nën administratën Obama, vendosi që ndalimi të përfshinte edhe diskriminim ndaj personave LGBTQ.
Megjithatë, administrata e Presidentit Donald Trump anoi nga punëdhënësit që u paditën për diskriminim në tre raste, të cilat çuan në vendimin e së hënës. zëri i amerikës
Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën, duke thënë se Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij.
Bennett dhe Sugawara, të dyja gazetare me përvojë të gjatë, drejtojnë Zërin e Amerikës që nga viti 2016, duke e zgjeruar ndjeshëm mbulimin me lajme dhe kronika. Zëri i Amerikës është agjensi e pavarur lajmesh e qeverisë amerikane që prodhon programe televizive dhe radioje në 47 gjuhë si dhe në faqen e internetit voanews.com.
Në letrën e tyre të dorëheqjes drejtuar qindra punonjësve, redaktorëve dhe stafit teknik të Zërit të Amerikës, Bennett dhe Sugawara thanë se ato kishin sjellë ndryshime për mirë gjatë katër viteve të fundit.
Ato flasin në letër mbi përpjekjen “pasionante dhe të fuqishme” të kësaj agjencie për t’i treguar audiencës se ç’është Amerika, përmendin “përqëndrimin te puna për të hedhur poshtë të pavërtetat dhe dezinformimin kudo në botë; vëmendjen e treguar për historitë e grave, të refugjatëve dhe të kolegëve gazetarë në të gjithë botën.”
Bennett dhe Sugawara i thanë stafit të Zërit të Amerikës se “asgjë që lidhet me ju, me pasionin tuaj, me misionin apo integritetin tuaj nuk ndryshon” me ardhjen e zotit Pack në krye të Zërit të Amerikës dhe organizatave të tjera mediatike të qeverisë amerikane.
“Michael Pack u betua para Kongresit për të respektuar murin mbrojtës që garanton pavarësinë e Zërit të Amerikës dhe që luan rolin më të rëndësishëm tek besimi i jashtëzakonshëm që ka tek ne audienca në të gjithë botën,” thuhet në letër.
Por ardhja e zotit Michael Pack në krye të USAGM me një kontratë tre vjeçare të miratuar nga Senati ka qenë një proces i vështirë.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Pack, bashkëpunëtor i njërit prej përkrahësve më të flaktë ideologjikë të tij, ish-kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon, më shumë se dy vjet më parë. Por miratimi u bllokua nga demokratët e Senatit deri vonë, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të tyre në lidhje me aludimet për përfitime të paligjshme financiare në bizneset e tij.
Javët e fundit, Presidenti Trump e ka kritikuar Zërin e Amerikës për mënyrën e mbulimit të lajmeve për Kinën gjatë krizës së koronavirusit. Më 15 maj, i pyetur për emërimin e zotit Pack, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës menaxhohet në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës.”
Në atë kohë, zonja Bennett komentoi në mbrojtje të misionit dhe raportimeve të kësaj agjencie lajmesh, që financohet nga SHBA.
“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha zonja Bennett.
“Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e 280 milion njerëzve që na ndjekin në 47 gjuhë dhe në mëse 60 vende, thonë se kanë besim te puna jonë,” u shpreh ajo.
I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, njoftoi se qeveritë e këtyre dy vendeve janë pajtuar që të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, pasi palët janë pajtuar që t’i heqin pengesat për dialog.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell tha se Serbia u pajtua që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova u pajtua të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë.
“Lajm i mirë. Sapo pranova angazhimin e qeverive të Kosovës dhe Serbisë për të pezulluar përkohësisht fushatën e çnjohjeve dhe anëtarësimet në mekanizmat ndërkombëtarë, me qëllim që të takohemi në Uashington DC, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, për të biseduar për dialogun.Nëse njëra palë nuk është e kënaqur me bisedimet e 27 qershorit, ato mund të kthehen sërish në status quo, pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, ne së pari duhet të bëjnë përparim në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mirëpres këto diskutime”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Avdullah Hoti. Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë thanë për REL që përbërja e delegacionit serb ende nuk është precizuar.Presidenti Thaçi ka mirëpritur iniciativën e SHBA-së për rikthimin e dialogut.
“Udhëheqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen prosperuese të Kosovës. Prandaj, mirëpres iniciativën për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, nën udhëheqësin Richard Grenell, të dërguarit të presidentit, Donald Trump”, tha Thaçi në një postim në Twitter.
Më herët, burime diplomatike në Bruksel u kanë thënë gazetarëve se Serbia ka pranuar ta pezullojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës “për t’i kontribuar atmosferës për rinisjen e dialogut për normalizim marrëdhëniesh” midis Prishtinës dhe Beogradit, gjë që e kishte kundërshtuar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Lajmi për takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington, vjen në ditën kur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak ishte paraparë që të vizitonte Prishtinën.
Megjithatë, siç merr vesh REL, Lajçakut i është anuluar fluturimi nga Cyrihu për në Tiranë, prej nga ku do të nisej drejt Prishtinës.
Në fillim të muajit qershor, Qeveria e re e Kosovës shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe tha se pret që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjeve, me qëllim që t’i jepet mundësi dialogut.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. SHBA-ja emëroi Grenellin si të dërguarin e saj për këtë dialog, tetorin e vitit të kaluar, me qëllim që të ndihmojë palët të arrijnë një marrëveshje paqeje.
Ndërkaq, afro tre muaj më herët, BE-ja ka emëruar Mirosllav Lajçakun në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë. Më pas kjo taksë u hoq dhe u vendos masa e reciprocitetit, por Serbia tha se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa heqjen e të gjitha pengesave.
Gjeneral Mark Milley, ushtaraku më i lartë i vendit, tha të enjten se veproi gabim kur shoqëroi Presidentin Trump më këmbë nga Shtëpia e Bardhë në sheshin Lafayette aty pranë, që u përmbyll me presidentin duke pozuar me biblën në dorë para një kishe. Gjenerali tha se prezenca e tij “krijoi përshtypjen se ushtria është e përfshirë në punët e brendshme të vendit”.
“Nuk duhet të kisha qenë atje,” tha Shefi i Shtatmadhorisë në komentet që bëri në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes.
Dalja e presidentit më 1 qershor në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë dhe fotografia me biblën në dorë ndodhi pak pasi autoritetet kishin përdorur spraj me spec djegës si dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit, të cilët po demonstronin në pjesën më të madhe në mënyrë paqësore pas vdekjes së George Floyd në Minesota gjatë arrestit.
Gjeneral Milley tha se prania e tij dhe fotografitë në atë zonë kompromentuan angazhimin e tij për të mbajtur veprimet e ushtrisë veçmas nga politika.
“Prania ime në atë moment në atë mjedis krijoi përshtypjen se ushtria po përziehet në punët e brendshme,” tha gjenerali. “Si oficer aktiv në uniformë, ishte një gabim, nga i cili kam nxjerrë mësime dhe sinqerisht shpresoj që të gjithë do të mësojmë nga kjo”.
Deklarata e tij ka të ngjarë të revoltojë presidentin, i cili reagon me forcë ndaj ndaj çdo kritike për aktivitetet ku merr pjesë. Po ashtu komentet bëhen në një kohë kur marrëdhëniet e drejtuesve të Pentagonit me Shtëpinë e Bardhë vazhdojnë të jenë të tensionuara pas një mosmarrëveshjeje javën e kaluar lidhur me kërcënimin e Presidentit Trump për të përdorur trupa federale për të ndalur trazirat që pasuan vdekjen e George Floyd.
Pas shpërndarjes së protestuesve nga sheshi Lafayette, presidenti udhëhoqi një grup zyrtarësh ku përfshihej edhe Gjenerali Milley dhe Sekretari i Pentagonit Mark Esper për të shkuar tek kisha episkopale e Shën Gjonit, ku ai ngriti biblën që mbante në dorë dhe pozoi për gazetarët dhe më pas u kthye në Shtëpinë e Bardhë.
Sekreari Esper nuk është shprehur se ka bërë gabim që shoqëroi presidentin në atë moment. Ai tha në një konferencë për shtyp se kur dolën nga Shtëpia e Bardhë ai mendoi se po shkonin për të parë dëmet në shesh dhe në kishë dhe për të përshëndetur trupat e Gardës Kombëtare.
Reagimi i autoriteteve ndaj protestave që plasën pas vdekjes së George Floyd ka krijuar tensione mes presidentit dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit. Kur Sekretari Esper tha për gazetarët më 3 qershor se kishte qenë kundër idesë së Presidentit Trump për të sjellë trupat aktive në rrugët e kryeqytetit për të sprapsur protestuesit dhe për të ndalur personat që kryenin akte vandalizmi dhe plaçkitje, më pas presidenti e kishte kritikuar ashpër.
Esper dhe Milley sinjalizuan përmes zëdhënësve të tyre se janë të hapur për “diskutime dypartiake” lidhur me idenë për të riemëruar 10 baza ushtarake që mbajnë emra të ushtarakëve të Konfederatës. Presidenti reagoi të mërkurën se nuk do të lejonte kurrë që të ndryshoheshin emrat e bazave.
Në fjalimin e tij drejtuar diplomantëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Gjenerali Milley u shpreh: “Duhet të ruajmë të shtrenjtë parimin e ushtrisë apolitike që është i rrënjosur thellë në republikën tonë. Duhet punë e përpjekje, por mund të jetë gjëja më e rëndësishme që bën secili prej nesh”.
Gjenerali Milley shprehu gjithashtu revoltim për vrasjen e George Floyd dhe u bëri thirrje ushtarakëve ta shohin këtë vdekje si pasqyrim i padrejtësive të bëra ndaj afrikano-amerikanëve për shekuj.
“Po shohim hijen e gjatë të mëkatit tonë të parë (në koloninë) Xhejmstaun të themeluar 401 vjet më pare”, tha ai duke iu referuar sjelljes së skllevërve të parë në Tokën e Re.
Gjenerali Milley tha se ushtria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në problemin racor. Ai vuri në dukje se Forcat e Armatosura Tokësore kanë vetëm një gjeneral afrikano-amerikan me katër yje, por Forcat Ajrore do të drejtohen tani për herë të parë nga një gjeneral afrikano-amerikan. zëri i amerikës
Në Riçmond, kryeqytet i shtetit Virxhinia, protestuesit rrëzuan të mërkurën vonë një statujë të presidentit të Konfederatës gjatë luftës civile, një tjetër monument që prishet në vazhdën e protestave mbarëkombëtare kundër padrejtësive racore.
Pamjet e postuara në mediat sociale tregonin statujën e Jefferson Davis, president i Konfederatës pro-skllavopronare gjatë Luftës Civile amerikane të viteve 1861-65, që tërhiqej nga një kamion ndërsa njerëzit e pranishëm brohorisnin.
Piedestali i statujës ishte i mbuluar me mbishkrime.
Ajo qëndronte në rrugën e monumenteve të qytetit ku rreshtohen statujat e disa figurave të njohura të Konfederatës.
Riçmondi ka qenë kryeqytet i Konfederatës gjatë pothuajse gjithë periudhës së Luftës Civile.
Vala globale e protestave antiraciste ka rihapur një fushatë për të hequr statuja dhe të tjera simbole që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës.
Shumë jugorë i mbrojnë këto monumente si nderim për të rënët në luftë dhe si pjesë e historisë së vendit. Ata e kundërshtojnë me forcë heqjen e tyre, megjithëse ato lidhen me skllavërinë dhe racizmin.
Të hënën, një gjykatës në Riçmond lëshoi një urdhër 10-ditor kundër vendimit të Guvernatorit Ralph Northam për të hequr një statujë të gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee në këtë qytet.
Më herët të mërkurën në Portsmuth të Virxhinias, protestuesit u hoqën kokat dhe përdhosën statujat që ishin pjesë e monumenteve të Konfederatës.
Një grup protestuesish rrëzuan po të mërkurën një statujë të eksploruesit italian Kristofor Kolombi në Sejt Pol të Minesotës. Një tjetër monument i Kolombit i ngritur në Riçmond në vitin 1927 u vandalizua dhe u hodh në një liqen.
Në orët e para të së mërkurës në Boston, iu hoq koka statujës së Kolombit në Boston.
Edhe pse Kristofor Kolombi u përshëndet për zbulimin e Botës së Re dhe hapjen e saj për ardhjen e evropianëve, disa studiues të ditëve të sotme flasin për një histori më komplekse, që përfshin skllavërimin dhe nënshtrimin e banorëve vendas. zëri i amerikës
Kushdo që e ka dëgjuar ndonjëherë të flasë, e di që Presidentit Donald Trump i pëlqen të rijetojë vitin 2016.
Ai riciklon shprehjet e vjetra të sulmeve që dikur kishin si objektiv Hillary Clinton. Ai ritregon dramën e natës së zgjedhjeve, të plotë duke imituar fytyrat e folësve të lajmeve të hutuar që vendosnin shtet pas shteti (Pensilvania! Uiskonsin!) në kolonën e republikanëve.
Herë të tjera, në telefonatat private nga rezidenca e Shtëpisë së Bardhë, ai risjell atmosferën miqësore të atyre ditëve, duke u bërë nostalgjik ndërsa kujton se ishte i rrethuar nga një ekip i stafit të fushatës, ndërsa avioni i tij privat fluturonte nga një qytet në tjetrin.
Tani, Trump po e rikthen sërish grupin e tij të fushatës.
Ditët e fundit presidenti ka nënshkruar kontrata punësimi për një numër të ndihmësave të tij të vjetër të vitit 2016 për fushatën 2020, një rikthim i besnikëve së bashku me anëtarë të tjerë të ekipit të tij origjinal. I njohur si drejtues që kërkon njerëz besnikë dhe beson tek pak vetë, Trump po mundohet të rikrijojë magjinë e ekipit të tij origjinal, pesë muaj para se të përballet përsëri me votuesit.
Por viti 2020 nuk është 2016. Këshilltarët e Trump janë gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e fushatës pasi presidenti përballet me kriza të shumta, që nga rreziku i krizës shëndetësore dhe ekonomike shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, e deri tek protestat masive që kanë përfshirë të gjithë vendin.
“Është fantastike që grupi i vitit 2016 të kthehet përsëri, por faktet janë fakte. Ai mezi fitoi dhe nuk ka bërë asgjë për të zgjeruar bazën e mbështetjes së tij,” tha Sam Nunberg, i cili e këshilloi Trumpin herët në fushatën e tij të parë.
“Ai nuk mund të fitojë me nostalgji. Nuk është e njëjta garë. Nuk ka të bëjë me parulla ose sloganë. Ka të bëjë me atë që ke bërë për mua dhe pse unë duhet të të rizgjedh ty bazuar në rekordin tënd”, thaotë Nunberg , një këshilltar jozyrtar që nuk do të ribashkohet sërisht në fushatë. “Nuk mund të luftojë vetëm betejën e fundit. Është koha për t’u përshtatur ose për të vdekur.”
Përforcimet po vijnë ndërsa Trump po pajtohet me idenë se nuk mund të drejtojë llojin e fushatës që kishte planifikuar për vite – një që dukej e realizueshme deri në janar, sipas tre zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë që folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht bisedat private.
Trump kishte pritur të kandidonte duke patur një ekonomi të fortë, para se pandemia ta shkatërronte atë. Ai kishte shpresuar të gjallëronte një numër të akuzave të njohura për “minimin e presidencës së tij” ndërsa mendonte se do të përballej me një demokrat nga krahu liberal i partisë, të cilin mund të përpiqej ta portretizonte si socialist. Ai nuk e priste të përballej me Joe Biden, të krahut më të moderuar.
Megjithëse në dukje i sigurt, Trump u ka thënë këshilltarëve privatë se nuk mund të besonte sondazhet që tregojnë se ai është pas, dhe sipas zyrtarëve, i ka shprehur zemërim menaxherit të fushatës Brad Parscale mbi gjendjen e garës.
Fushata, e cila ka një infrastrukturë dhe staf shumë më të madh sesa katër vite më parë, minimizojë idenë se kthimi i anëtarëve veteranë të 2016-ës ishte ndikuar nga gjendja e garës ose pasqyronte një mungesë besimi tek zoti Parscale.
“Për mbi tre vjet tani, Brad po ndërton fushatën më të madhe dhe më të mirë politike në histori,” tha Tim Murtagh, drejtori i komunikimit të fushatës. “Zgjerimi i fundit i stafit po e bëjnë Ekipin Trump edhe më të fortë dhe po forcon udhëheqjen e Brad Parscale”.
Javën e kaluar, fushata Trump punësoi Jason Miller, drejtor i komunikimit në vitin 2016, për tu përqëndruar në strategjinë dhe koordinimin midis fushatës dhe Shtëpisë së Bardhë. Miller ka bashkë-organizuar një podcast pro-Trump me ish-shefin ekzekutiv të fushatës së presidentit, Steve Bannon.
Boris Epshteyn, i cili pas vitit 2016 u bë komentator i rrjetit konservator Sinclair Broadcast, u kthye të shërbejë një këshilltar strategjik për koalicionet. Bill Stepien, një këshilltar i lartë në vitin 2016, kohët e fundit u promovua në postin e zëvendës menaxherit të fushatës. Justin Clark, një tjetër këshilltar i vjetër, ka udhëhequr përpjekjet ligjore të fushatës Trump.
Fytyra të njohura janë rikthyer gjithashtu edhe në Shtëpinë e Bardhë.
Hope Hicks ishte zëdhënëse e fushatës së Trumpit në vitin 2016 përpara se të bëhej një nga ndihmësit e tij më të besuara në Shtëpinë e Bardhë. Ajo u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2018 vetëm për t’u rikthyer dy vjet më vonë dhe ishte një nga ideatoret prapa fotove të debatueshme të presidentit me një Bibël pasi ai përshkoi Sheshin Lafayette javën e kaluar për të shkuar në një kishë aty pranë, sapo zona u pastrua nga protestuesit.
Johnny McEntee, i cili shërbeu si ndihmës personal i zotit Trump para se të pushohej nga shefi i atëhershëm i personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly në vitin 2018, u kthye në janar dhe është përqendruar në punësimin e besnikëve në administratë.
Disa nga ekipi i Trump 2016 nuk u larguan kurrë. Ivanka Trump dhe Jared Kushner, vajza e presidentit dhe dhëndri i presidentit, janë këshilltarë të vjetër.
Kellyanne Conway, menaxherja e fundit e presidentit për fushatën e vitit 2016, mbetet një këshilltare e lartë e Shtëpisë së Bardhë. Dan Scavino drejton median sociale të presidentit. Dy djemtë e presidentit, Donald Jr. dhe Eric Trump, dhe gruaja e Eric, Lara, mbeten përfaqësues të njohur të fushatës.
Por disa anëtarë të grupit të vjetër nuk janë rikthyer ende. Aty përfshihet Bannon, i cili mbetet mbështetës i Trumpit edhe pas një dalje të sikletshme nga Shtëpia e Bardhë, dhe Keith Schiller, i besuari i presidentit Trump për sigurinë. Gjithashtu nuk janë të përfshirë ata veteranë të vitit 2016 që kanë hyrë në telashe juridike, përfshirë Paul Manafort, Rick Gates, Roger Stone dhe Michael Flynn. zëri i amerikës
Numri i rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, kapërceu të mërkurën shifrën 2 milionë, sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve Reuters dhe gazetës New York Times.
Ndërkohë eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci i tha Zërit të Amerikës se rreziku nuk ka kaluar dhe se me rihapjen graduale të shteteve amerikane dhe rikthimin në aktivitetin normal, mund të intensifikohen ritmet e përhapjes së infeksionit.
“Në një zonë ku ka vatra aktive infeksioni, nuk do të ishte e këshillueshme të hiqen menjëherë masat e distancimit social. Nuk ka një formulë të vetme. Vendimi duhet të diktohet nga situata në zonën ku jeton individi”, tha Dr. Fauci.
Në shkallë kombëtare, infeksionet e reja po rriten lehtë pas pesë javësh rënieje, sipas një analize të agjencisë Reuters.
Sipas analizës së gazetës New York Times, rastet po shtohen në 21 shtete dhe megjithë përmirësimet në shtete që fillimisht ishin goditur rëndë, si Nju Jorku, tani po shfaqen pika të nxehta në shtete të tjera, përfshirë Arizonën, ku një rritje e rasteve dhe shtrimeve në spital ka alarmuar zyrtarët vendorë.
Sipas projektit COVID-Tracking, numri më i lartë i atribuohet shtimit të testimeve, që arriti një rekord më 5 qershor, me 545,690 teste në një ditë të vetme, por që ka qenë më i ulët që nga ajo ditë.
Protestat masive pa distancim fizik pas vdekjes më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në Minesota, mund të sjellin një rritje tjetër të ndjeshme në javët në vazhdim.
Zyrtarët e Shëndesisë po u bëjnë thirrje personave që morën pjesë në protestat masive për drejtësi sociale të testohen.
Në intervistën për shërbimin rus të Zërit të Amerikës, Dr. Fauci u kujton pjesëmarrësve në protesta se grumbullimet shoqërohen me rrezik të shtuar për infeksion dhe i këshillon të ndjekin protokollin mbrojtës, si mbajtjen e maskave:
“Maskat mund të mos kenë aftësi mbrojtëse prej 100%, por pa diskutim ofrojnë një masë mbrojtëse nga infektimi. Nëse dikush është i infektuar, maska mbron të tjerët nga infektimi. Një maskë e thjeshtë bezeje mjafton”, tha ai.
Në Shtetet e Bashkuara, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus, është tani mbi 112,000, më i larti në botë.
Eksperti amerikan Fauci nënvizon paralajmërimin se infeksioni mund të përhapet edhe nga persona të prekur nga virusi, por që nuk shfaqin simptoma. Një eksperte e OBSH shkaktoi konfuzion ditët e fundit kur tha se infektimi nga këta persona është fenomen i rrallë.
“Rreth 25 – 30, 50 për qind e personave të infektuar nuk shfaqin simptoma. E dimë se personat pa simptoma mund të infektojnë të tjerët. Nuk e dimë se çfarë përqindjeje e infektimeve janë shkaktuar nga personat pa simptoma, por e dimë që nuk është një fenomen i rrallë,” nënvizon Dr. Anthony Fauci.
Më 12 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë i këshilloi qeverite që para se të rihapeshin, numri i rasteve pozitive duhet të ishte 5% ose më pak për të paktën 14 ditë.
Përqindjet në shkallë vendi në Shtetet e Bashkuara kanë variuar mes 4% dhe 7%, por shtete individuale e kanë plotësuar këtë kusht.
Disa shtete po njoftojnë për raste në përqindje mbi kufirin e rekomanduar për hapje nga OBSH-ja, përfshirë Merilendin me 8%, Jutan me 9%, Nebraskën me 9%, Virxhinian me 9%, Masaçusets me 11% dhe Arizona me 12%.
Protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” që kanë shpërthyer në Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së një afrikano-amerikani pasi ishte ndaluar nga policia, kanë rritur presionin ndaj Joe Biden-it, kandidatit për president të Demokratëve, për të zgjedhur një kandidat për nënpresident nga radhët e komunitetit afrikano-amerikan. Ndërsa zoti Biden tashmë ka premtuar të emërojë një grua si të nominuarën e tij për nënpresidente, korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden njofton se peizazhi politik që po ndryshon ka krijuar perspektiva për disa udhëheqëse femra afrikano-amerikane që nuk ishin konsideruar ndër pretendentet kryesore.
Protestat mbarëkombëtare për padrejtësitë raciale që disa besojnë se u ushqyen prej thirrjes së ushtrisë nga Presidenti Donald Trump për të shuar trazirat civile, kanë nxitur thirrjet për Joe Biden-in për të zgjedhur një grua afrikano-amerikane si kandidate për nënpresidente.
“Ai duhet tu ofrojë diçka votuesve afrikano-amerikanë. Dhe nuk mund të thotë thjesht se Donald Trump është një person i tmerrshëm. Duhet të jetë diçka më thelbësore se kaq”, thotë Niambi Carter, Profesore e Shkencave Politike, në Universitetin Howard.
I nominuari për president i demokratëve është zotuar të zgjedhë për nënpresidente një grua me kualifikime të larta.
Nevoja në rritje për të trajtuar tensionet racore dhe për të aktivizuar mbështetësit afrikano-amerikanë ka përqendruar vëmendjen te Senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris. Një vajzë emigrantësh indianë dhe xhamajkanë që humbi përballë Biden-in në zgjedhjet paraprake, zonja Harris është bërë një pretendente kryesore.
Ndërkohë, perspektivat për senatoren e Minesotës, Amy Klobuchar, një tjetër rivale për nominimin presidencial, duket se janë zbehur prej kritikave se kur ishte prokurore në Minesota, ajo nuk ndoqi me forcë rastet e dhunës së tepruar nga policia.
Kryebashkiakja e Atlantës, në shtetin Xhorxhia, Keisha Lance Bottoms, e cila u konsiderua fillimisht me shanse jo të mira, ka fituar tashmë përparësi në nivel kombëtar pasi ajo mbajti një fjalim të zjarrtë për trazirat në qytetin e saj dhe largoi oficerët e policisë që u akuzuan për përdorim të tepërt të forcës gjatë një proteste.
“Ne e kuptojmë që oficerët tanë po punojnë me orë të zgjatura nën një stres të jashtëzakonshëm, por gjithashtu e kuptojmë se përdorimi i forcës së tepërt nuk është kurrë i pranueshëm“, tha ajo.
Po përmendet më shumë edhe Ligjvënësja e shtetit Florida, Val Demings, e cili ishte ndër drejtuesit e procedurave të hetimit të Presidentit Trump. Por ajo gjithashtu është kritikuar për rolin e saj në të kaluarën si shefe policie në Orlando.
Ish-ligjvënësja e shtetit Xhorxhia, Stacey Abrams, e cili humbi në një garë të ngushtë për guvernatore në një shtet të fortë republikan, si dhe ish-këshilltarja e Sigurisë Kombëtare Susan Rice janë gjithashtu një mundësi.
Disa e kritikojnë zonjën Abrams, për mungesën e përvojës së saj në një post të zgjedhur në nivel kombëtar, si guvernatore ose senatore.
“Do të doja ta kundërshtoja këtë, sepse kur përcaktojmë kualifikimet në një mënyrë të caktuar, kjo ka tendencën të rrisë pabarazitë që shohim“, thotë Akunna Cook, analiste politike me organizatën “Third Way”.
Ndërsa disa demokrate nga popullsia e bardhë si Senatorja e shtetit Masaçusets, Elizabeth Warren, dhe Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, mund të kenë më shumë eksperiencë, thonë analistët, ringjallja e lëvizjes Black Lives Matter mund ta shndërrojnë zgjedhjen e një kandidateje afrikano-amerikane në një detyrim politik dhe moral.
Për herë të parë në histori, një oficer afrikano-amerikan tani do të drejtojë një degë të shërbimeve ushtarake të SHBA.
Gjenerali Charles Brown Jr. u konfirmua të martën nga Senati si Shef i Shtabit të Forcave Ajrore të vendit me një votim të njëzëshëm prej 98 votash pro dhe asnjë kundër.
Para konfirmimit, Gjenerali Brown ka qenë komandant i Forcave Ajrore amerikane të Paqësorit, që përgjigjej për aktivitetet e Forcave Ajrore në teatrin e Indo-Paqësorit, me përhapje në gjysmën e globit.
Ai ka qenë gjithashtu zv / komandant i Komandës Qendrore të SHBA, që përgjigjet për veprimtarinë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa para kësaj, ka qenë komandant në Komandës Qendrore të Forcave Ajrore të SHBA.
Konfirmimi historik i Gjeneralit Brown vjen ndërsa vendi është përfshirë nga protesta kundër padrejtësive racore dhe sociale, pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë muajin e kaluar.
“Mendoj se emërimi im mund të sjellë një farë shprese, por ai shoqërohet gjithashtu me një barrë të rëndë. Unë nuk mund të ndreq atë që është shkaktuar pas shekujsh racizmi në vendin tonë, dhe as nuk mund të ndreq diskriminimin prej dekadash që mund të ketë ndikuar tek anëtarët e Forcës sonë Ajrore,” tha Gjenerali Brown në një video për Forcën Ajrore.
Në video, ai tha se shpreson që njerëzit të udhëhiqen nga mençuria në këto “periudha të vështira” dhe që të bëhen përmirësime “në mënyrë që të gjithë njerëzit e forcës ajrore, si sot ashtu edhe nesër, të kuptojnë vlerën e diversitetit dhe të shërbejnë në një mjedis ku ata të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë.”
“As the Commander of Pacific Air Forces, a senior leader in our Air Force, and an African-American, many of you may be wondering what I’m thinking about the current events surrounding the tragic death of George Floyd. Here’s what I’m thinking about…” – Gen. CQ Brown, Jr. pic.twitter.com/I2sf1067L6
Ai foli me sinqeritet për përvojën e vet të racizmit, për të cilën tha se “jo gjithmonë të kujtonte lirinë dhe barazinë”. Për shembull, kishte njerëz që e pyesnin “Jeni pilot?” edhe pse mbante të njëjtin konstum dhe emblema si pilotët e tjerë të bardhë në skuadronin e tij. Nga ana tjetër, kishte disa afrikano-amerikanë që i thoshin se nuk ishte sa duhej afrikano-amerikan pasi kalonte më shumë kohë me skuadronin e tij sesa me ta.
Senatori Jim Inhofe, kryetar i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, e quajti Gjeneralin Brown një “udhëheqës frymëzues – i guximshëm, autentik dhe unifikues” – ekspertiza e të cilit në teatrin Indo-Paqësor do të jetë një pasuri, tani që ushtria po përqendrohet më shumë në atë pjesë të globit.
Ish Kreu i Shtatmadhorisë, Admirali në pension Mike Mullen, e quajti konfirmimin e Gjeneralit Brown “një hap të madh në drejtimin e duhur”, por ai shqetësohet për faktin se numri i afrikano-amerikanëve që mbajnë pozita drejtuese në ushtrinë amerikane ka ardhur duke u tkurrur.
“Jam larguar tetë vjet e gjysmë më parë dhe shqetësohem shumë për faktin që kemi ecur prapa që nga ajo kohë pasi numrat nuk janë aty ku duhet të ishin”, tha ai.
Brown, pilot i avionit luftarak F-16, ka bërë gati 3,000 orë fluturime dhe 130 orë luftim gjatë shërbimit të tij më shumë se 35 vjeçar. Ai përfundoi studimet me diplomë nderi në Universitetin Texas Tech.
Gjenerali Brown u emërua më 2 mars për të zëvendësuar Gjeneralin David Goldfein, i cili pritet të dalë në pension në javët e ardhshme.
Miq e të afërm shprehën nderimet e fundit për George Floyd në një ceremoni private mortore në Hjuston, dy javë pasi ai vdiq nën arrest. Vdekja e tij ka shkaktuar protesta mbarë kombëtare, si dhe në shkallë globale.
Të afërmit dhe shokët e George Floyd filluan të mblidhen në kishë para ceremonisë dhe shoqëruan arkivolin e artë kur po futej në kishë, ndërkohë që gazetarët ndiqnin procesin dhe pranë ishte rreshtuar një kontigjent me policë.
Pas ceremonisë, policia e Hjustonit shoqëroi kortezhin deri në qytezën Pearland, ku trupi i tij do të prehet pranë nënës së tij.
Bashkia e Hjustonit u ndriçua me drita të kuqe e të verdha, ngjyrat e ekipit sportiv të shkollës së tij të mesme ku ai ishte një atlet i njohur. Qytete të tjera si Los Anxhelosi, Bostoni, Las Vegasi e Nju Jorku po ashtu u ndriçuan në ngjyra në kujtim të 46-vjeçarit që ka rizgjuar thirrjet për ndryshime rrënjësore.
Publiku pati rastin të shprehë nderime të hënën kur mijëra vetë parakaluan pranë arkivolit të hapur në homazhe. Ceremoni nderimi u zhvilluan edhe në Mineapolis ku ai gjeti vdekjen, si dhe në Karolinën e Veriut ku ai kishte lindur. zëri i amerikës
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se rreth 640 ushtarë amerikanë do të mbesin në kuadër të KFOR-it në Kosovë.
Në një letër drejtuar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe kryesuesit të përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, presidenti i njoftoi ata vendosjen e trupave amerikane gjithandej nëpër botë, përfshirë edhe Kosovën.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u kontribuojnë forcave të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja në bashkëpunim me autoritetet vendase, partnerët dypalësh dhe institucionet ndërkombëtare për të penguar ripërtëritjen e armiqësive në Kosovë. Afërisht 640 pjesëtarë të Ushtrisë amerikane shërbejnë në kuadër të 4 mijë trupave të KFOR-it”, thuhet në letrën e presidentit Trump.
Në muajin mars, senatori amerikan, David Perdue, nxiti debate në Kosovë me nje deklaratë në të cilën thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të rishqyrtojnë praninë në Kosovë, nëse ajo nuk heq tarifat ndaj Serbisë, një qëndrim që u mbështet nga i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe i biri i presidentit Trump.
Një debat i tillë ishte pjesë e trysnisë amerikane ndaj qeverisë së Kosoëvs për të hequr pengesat për rifillimin e bisedimeve me Serbinë, të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018.
Postimi i senatorit Perdue, ngjalli reagime e shqetësime në Kosovë ku prania amerikane dhe përfshirja në proceset politike vlerësohen të pazëvendësueshme.David Perdue
Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se i ndjeri George Floyd “do ta ndryshojë botën”.
Pas një takimi privat me familjen e Floydit në Hjuston, Teksas, për të ofruar ngushëllimet e tij, Biden ka thënë për CBS News se vdekja e tij është “një prej pikave më të mëdha të ndryshimit në historinë amerikane”.
Vdekja e afrikano-amerikanit Floyd, në duart e një zyrtari policor të bardhë, ka nxitur protesta në gjithë botën.
Një ceremoni private e varrimit do të mbahet në Hjuston në vonë gjatë së martës.
“Ata janë familje e mrekullueshme, vajza e tij e vogël ka qenë aty, ajo që ka thënë se ‘babai i saj do ta ndryshojë botën’ dhe unë besoj se babai i saj do ta ndryshojë botën”, ka thënë Biden për CBS.
Mijëra persona janë parë të martën në Hjuston, ku Floyd ka jetuar para se të shpërnguljes në Mineapolis, duke krijuar radhë të gjatë për ta parë trupin e tij para një kishe.
Ceremoni të ngjashme në nderim të tij janë mbajtur në Mineapolis dhe Karolinën Veriore, ku Floyd ka lindur. rel
Ekonomia e amerikane ndodhet në recesion, bëri të ditur të hënën një grup studimor i politikave ekonomike, gjë që shënon fundin e rritjes më afatgjatë që ka pësuar ekonomia e vendit. Një komision i Byrosë Kombëtare për Kërkimeve Ekonomike, një organizatë private jofitimprurëse që bën studime në fushën e ekonomisë, thotë se recesioni nisi në muajin shkurt.
Sipas përkufizimit të përgjithshëm të organizatës kemi të bëjmë me recesion kur “aktiviteti ekonomik shënon një rënie që zgjat më shumë se disa muaj”.
“Për të vendosur nëse do ta identifikojmë si recesion, komiteti peshon thellësinë e tkurrjes ekonomike, kohëzgjatjen e tij dhe nëse aktiviteti ekonomik ka rënë gjerësisht në të gjithë vendin. Komiteti pranon se pandemia dhe reagimi i shëndetit publik kanë rezultuar në një rënie me karakteristika të ndryshme“, thuhej në një deklaratë të kësaj organizate (NBER).
Organizata thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto ra në një normë vjetore prej 4.8 për qind në tre muajt e parë të vitit ndërsa papunësia u rrit me shpejtësi të madhe nga 3.5 për qind në shkurt në 14.7 për qind në muajin prill, duke pësuar një rënie në 13.3 për qind muajin e kaluar, por që gjithësesi përbën një nivel të lartë të papapunësisë në vend.
Disa ekonomistë parashikojnë se recesioni aktual do të jetë i shkurtër dhe se situata do të ndryshojë me rritjen e prodhimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës falë rifillimit të veprimtarive ekonomike.
Por optimizmi i tyre zbehet nga parashikimet për një rikthim të mundshshëm të koronavirusit. Nëse kjo ndodh, thonë ata, mund të duhen më shumë se dy vjet që ekonomia amerikane të kthehet në nivelet e para pandemisë.
Të hënën lajmet nga Banka Botërore ishin gjithashtu të zymta. Sipas parashikimeve të saj ekonomia globale do të tkurret me 5.2 për qind këtë vit, që do të ishte recesioni më i thellë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Banka Botërore tha se kriza e lidhur me pandeminë dhe ajo ekonomike mund të detyrojë miliona njerëz në të gjithë botën që të jetojnë në kushte varfërie ekstreme. zëri i amerikës
Sondazhet politike në Sh.B.A-së po tregojnë gjithnjë e më shumë se amerikanët nuk e miratojnë punën e Presidentit Donald Trump dhe se mbështetja në ofertën e tij për një mandat tjetër katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë po bie kundrejt ish-nënpresidentit Joe Biden.
Në sondazhin më të fundit të hënën, CNN tha se votuesit që u anketuan javën e kaluar nuk e miratojnë punën e presidentit Trump me një diferencë prej 57% -38%, dhe besojnë se ai do të humbasë ndaj Bidenit (55% -41%) pesë muaj përpara ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor.
Trump e hodhi poshtë sondazhin e CNN-it në një postim në Twitter, duke pretenduar se sondazhi ishte “aq i rremë sa edhe raportimi i tyre”. Trump tha se ai kishte “të njëjtat shifra, apo edhe më keq, kundër Crooket Hillary”, nofka e tij tallëse për Hillary Clinton, ish Sekretarja amerikane e Shtetit që ai mposhti në zgjedhjet për presidencën në vitin 2016.
Trump shpesh përpiqet të trumpetojë pozitën e tij të lartë në mesin e votuesve republikanë, por sipas sontazhit demokratët janë në mënyrë të barabartë kundër presidencës së tij. Ndërkohë, sondazhi i CNN tregoi se 52% e votuesve të pavarur thonë se favorizojnë Biden-in për presidencën kundrejt 41% që mbështesin Trump-in.
Vlerësimi i ulët i miratimit për punën e preisidentit Trump vjen ndërsa votuesit peshojnë trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit gjatë tre muajve të fundit dhe më pranë, protestat mbarëkombëtare në dy javët e kaluara kundër vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd, të mbajtur në arrest policie në Mineapolis të Minesotës .
CNN tha se vlerësimi për miratimin e punës së presidentit Trump kishte rënë shtatë pikë gjatë muajit të kaluar dhe tani ishte më i keqi që është regjistruar që nga janari 2019. Rrjeti i lajmeve tha se vlerësimi i miratimit prej 38% për Trump ishte i ngjashëm me atë të dy ish presidentëve – Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në 1992 – kur të dy humbën në zgjedhejt për mandatet e dyta.
Sondazhi i CNN-it thotë se efekti i protestave kundër vdekjes së Floydit tek elektorati amerikan është i rëndësishëm, me votuesit që thonë se marrëdhëniet racore në Sh.B.A janë tani aq të rëndësishme sa ekonomia dhe kujdesi shëndetësor si çështje të fushatës.
Të anketuarit thanë se mendojnë se zoti Biden do të trajtojë marrëdhëniet racore në Sh.B.A më mirë sesa presidenti Trump me një diferencë 63% -31%. Votuesit me ngjyrë favorizuan trajtimin e marrëdhënieve racore nga zoti Biden me një avantazh të jashtëzakonshëm 91% -4%.
Biden gjithashtu kryesoi sondazhin për çështjen e trajtimit të pandemisë së koronavirusit, 55% me 41%, ndërsa votuesit e favorizuan presidentin Trump në mbarëvajtjen e ekonomisë 51% me 46%.
Sondazhet kombëtare në Sh.B.A kanë treguar vazhdimisht zotin Biden përpara zotit Trump – 40 të kryera në maj dhe nëntë të tjera deri tani në qershor.
Faqja elektronike e organizatës Real Clear Politics e vendos Biden përpara Trumpit 49.9% në 42.1%. Mesatarja e sondazheve të fundit tregon se votuesit nuk miratojnë presidencën e Trumpit 54.2% me 42.8%.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata të Senatit, kanë prezantuar një projektligj për të rishqyrtuar kontrollin e policisë në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa orë para një shërbese përkujtimore për afrikano-amerikanin, George Floyd, i cili ka vdekur teksa ka qenë në mbajtje policore në Mineapolis.
Vdekja e tij ka nxitur një valë të protestave kundër racizmit në gjithë botën.
Duke qëndruar në njërin gju, për tetë minuta dhe 46 sekonda – koha e njëjtë, sipas prokurorëve, sa Floydit i është bërë presion me gju në qafë nga një zyrtar policor para se të vdiste – në njërën prej sallave të Kongresit, ligjvënësit kanë lexuar emrin e Floydit dhe të tjerëve që kanë vdekur gjatë përballjes me zyrtarë policorë.
“Ne nuk mund të pajtohemi për asgjë më pak sesa një ndryshim strukturor transformues”, ka thënë udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Projektligji, që përbën ndryshimin më ambicioz në fushën e zbatimit të ligjit, që është kërkuar në Kongres për vite të tëra, synon t’iu kufizojë zyrtarëve policorë mbrojtjen ligjore, si dhe të krijojë një databazë kombëtare të incidenteve me përdorim të shtuar të dhunës, në mesin e ndryshimeve tjera.
Ky hap është një prej përgjigjjeve të shumta në gjithë SHBA-në ndaj vdekjes së Floydit, të cilin familja përgatitet ta varrosë më vonë gjatë ditës së hënë.
Këshilli i qytetit Mineapolis është zotuar për të shpërbërë dhe rikrijuar departamentin e policisë lokale – propozim që është kundërshtuar nga kryetari i qytetit.
Trupit i Floydit është dërguar në Hjuston, vendin e tij të lindjes. rel
Pas vdekjes së George Floyd-it ndërsa ishte ndaluar nga policia në qytetin Minneapolis, të shtetit amerikan Minesota, disa oficerë në të gjithë vendin u gjunjëzuan në solidaritet me protestuesit që dënonin racizmin. Zëri i Amerikës u takua me sherifin dhe organizatorët e protestave në Qarkun Prince William, Virxhinia, ku veprimi simbolik i “uljes në gjunjë” mund të sjellë ndryshime të përhershme.
“Ne nuk patëm shumë kohë për ta biseduar ose për tu menduar“, thotë Glen Hill, sherif në qarkun Prince William. “Ata donin që ne të gjunjëzoheshim dhe luteshim me ta. Pse jo? Pse të mos tregojmë se jemi të interesuar për atë që i shqetëson?”
Trajtimi i George Floyd-it,… në duart e policisë së Minneapolisit është i vështirë për tu parë.
Kur shpërtheu protesta pas vdekjes së tij, pamjet e oficerëve duke u ulur në gjunjë, ndihmuan në qetësimin e një kombi të tronditur.
Në Manassas, Virginia, oficerët e policisë u gjunjëzuan vetëm një ditë pasi demonstrata në 30 maj u bë e dhunshme.
Sherifi Glen Hill dhe zëvendësat e tij vepruan kështu kur protestuesit paqësorë u tubuan në sallën e gjykatës së Qarkut Prince William.
“Ajo që ndodhi në Minesota, sigurisht për mua ishte një tragjedi. Nuk dua që dikush në profesionin tim të bëjë diçka të tillë sepse kjo reflekton te të gjithë ne. Një nga gjërat që duhet të bëjmë është të kujdesemi për njëri-tjetrin. Nëse shihni një tjetër nga oficerët tuaj, një nga miqtë tuaj që po bën diçka – ndalojeni!“, thotë sherifi Hill.
“Puna jonë si oficerë të zbatimit të ligjit nuk është të përshkallëzojmë një situatë. Ne u betuam për të shërbyer dhe mbrojtur. Dhe për t’i shërbyer dhe mbrojtur të gjithë“, thotë zëvendës sherifi Terry Fearnley.
Disa thonë se rasti Floyd tregon dështimin në trajnimin e oficerëve për të ndalur praktikat raciste.
Por Rreshtere Angel Tyson, e cila gjithashtu u ul në gjunjë, thotë se ka më shumë për të mësuar.
“Unë mund të identifikoj fushat ku mund të rrisim ndërgjegjësimin kulturor, ku mund të orientojmë disa nga trajnimet tona. Mund të mos kem prejardhjen tuaj, por jam e gatshme t’ju dëgjoj. Jam e gatshme të mbaj një mendje të hapur. Jam e gatshme t’ju mbështes, ndërsa ushtroni të drejtat tuaja“, thotë ajo.
Por, përpjekjet për të krijuar besim mes policisë dhe njerëzve me ngjyrë nuk kanë dhënë fryt, thonë protestuesit. Gjunjëzimi është një gjest i bukur, por ata duan drejtësi.
“Sasia e përvojave në komunitetin tonë sa i përket diskriminimit racor në radhët e zyrtarëve të zbatimit të ligjit është e shumtë. Kemi njerëz që ndalohen vazhdimisht vetëm sepse duken të dyshimtë. Nuk ka asnjë arsye ligjore për t’i ndaluar. Dhe atëherë kur ndalohen, u gjejnë një arsye për t’iu vënë një gjobë, ose për t’i futur në burg“, thotë Franklin Parker, organizator i protestave lokale.
Protestat dhe pandemia nuk shkojnë mirë së bashku. Sidoqoftë, këta aktivistë thonë se ata janë të gatshëm të rrezikojnë shëndetin e tyre në mënyrë që vdekja e Floyd-it të mos jetë e kotë.
“Diçka duhet të ndryshojë. Dikush duhet ta bëjë atë ndryshim. Dhe nëse kjo do të thotë se duhet të sëmurem, do të sëmurem. Do të shkoj në spital. Do të kurohem dhe do të jem sërish këtu. Nuk ka asgjë më shumë që mund të bëj për këtë. Sepse në fund të ditës, unë thjesht po përpiqem të sjell paqen, njerëzit duan paqe“, thotë Savana Davis, organizatore e protestave.
Këtu në qarkun Prince William, po dëgjohen lutjet e tyre. Bordi i qarkut po krijon një komision të ri për diversitetin kulturor për të ekzaminuar marrëdhëniet racore.
Dhe sherifi Hill synon kontaktet me komunitetin dhe ndërmarrjen e veprimeve për të pasuar gjestet e mira.
“Një nga gjërat që duhet të bëjmë, jo vetëm me të rinjtë, por me të gjithë ata me të cilët merremi – ne duhet t’u tregojmë atyre dinjitet dhe respekt. Ndoshta duhet të kontaktojmë me komunitetin tonë dhe t’i njoftojmë ata se po, ne mbrojmë, shërbejmë dhe kujdesemi edhe për ju“, thotë sherifi Hill.
Ish-sekretari i Shtetit Colin Powell deklaroi të dielën mbështetjen e tij për kandidatin demokrat për president Joe Biden. Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN, zoti Powell, i cili ka shërbyer gjatë administrave të presidentëve republikanë George H.W. Bush dhe George W. Bush, tha se do të votonte për zotin Biden.
“Nuk mund ta mbështes në asnjë mënyrë Presidentin Trump këtë vit“, tha zoti Powell, i cili ka qënë zyrtari me i lartë ushtarak i Forcat e Armatosura amerikane si dhe këshllitari kryesor ushtarak i Presidentit, Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe sekretarit të Mbrojtjes gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991.
Zoti Powell tha se ai ndan pothuajse të njëjtat qëndrime me zotin Joe Biden mbi çështje sociale e politike.
“Kam punuar me të për rreth 40 vjet, tani ai është kandidat (president) dhe unë do të votoj për të“, tha zoti Powell, duke përmendur se atij nuk i ishte kërkuar të bënte fushatë për ish-Nënpresidentin Biden dhe as që e priste një gjë të tillë.
Pas kësaj deklarate zoti Trump reagoi menjëherë me një postim në Twitter, duke e quajtur zotin Powell “një njeri të ngurtë” e “tejet të mbivlerësuar”. Pak republikanë me pozita të forta në parti e kanë kritikuar publikisht zotin Trump. Javën e kaluar ish-sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis e kritikoi Presidentin Trump mbi mënyrën se si i ka trajtuar protestat e gjera që kanë përfshirë vendit. zëri i amerikës
voal.ch – Ish Sekretari i Shtetit Colin Powell i thotë Jake Tapper të CNN se Presidenti Trump është larguar nga Kushtetuta.
Powell gjithashtu vlerësoi gjeneralët ushtarakë dhe admiralët që po flasin kundër veprimeve të Trump.
Colin Powell është Sekretari i 65-të i Shtetit i SHBA gjatë mandatit të Presidentit George W. Bush, dhe është i pari afrikano-amerikan me këtë detyrë të lartë shtetërore.
Ai është gjeneral dhe politikan. Është edhe ideatori i Powell Doctrine.
Doktrina e Powell është një term gazetaresk, që mban emrin e gjeneralit Colin Luther Powell, Sekretarit të ardhshëm të Shtetit me Bush, krijuar midis viteve 1990 dhe 1991 gjatë Luftës së parë të Gjirit.
Kjo doktrinë bazohet kryesisht tek ajo me emrin Weinberger, krijuar nga Caspar Weinberger, ish Sekretari i Mbrojtjes dhe ish-eprori i Powell.
Doktrina thekson interesat e sigurisë kombëtare të SHBA me përdorimin e forcave tokësore dhe mbështetjen e gjerë të publikut.
Ish Sekretari i Republikës së Shtetit, Colin Powell tha të Dielën për CNN se Presidenti Donald Trump është “larguar” nga Kushtetuta,
duke përmendur një listë në rritje të ish zyrtarëve të lartë ushtarakë që kanë kritikuar me forcë reagimin e Presidentit për protestat mbarëkombëtare pas vrasjes nga policia të George Floyd.
“Ne kemi një Kushtetutë. Dhe ne duhet ta respektojmë atë Kushtetutë. Dhe Presidenti i është larguar prej saj”.
Këto tha Powell, gjenerali në pension që shërbeu nën Presidentin George W. Bush, për Jake Tapper të CNN.
Komentet nga Powell, sekretari i parë i shtetit afrikano-amerikan dhe kryetari i shtohen një listë në rritje të qortimeve të bëra ditëve të fundit nga ish-zyrtarët e lartë, të cilët kanë shprehur pakënaqësi ndaj qasjes së fortë të Trumpit ndaj protestave të ndezura ngavdekja e Floyd, afrikano-amerikan që u vra në fund të majit nga një oficer policie i bardhë në Minneapolis./EB
Gjatë protestave për vdekjen e George Floyd në Houston të Teksasit, një vajzë 5-vjeçare afrikano-amerikane i drejtohet e frikësuar një polici.
“A do të na qëllosh me armë? Agjenti u gjunjëzua dhe e ngushëlloi vajzën e vogël duke i thënë: “Ne jemi këtu për t’ju mbrojtur, mirë? Ne nuk jemi këtu për t’ju lënduar. Ju mund të protestoni, mund të festoni, mund të bëni atë që dëshironi, thjesht mos prishni asgjë”.
Videoja emocionuese u filmua nga babai i vogëlushes, Simeon Bartee, cili më pas e postoi në Twitter.
Sipas babait të saj vajza 5-vjeçare kishte nisur të qante sapo pa policët të armatosur. Ai më pas e falenderoi policinpër mënyrën se si u soll me vajzën e tij.
‘I jam mirënjohës që më tregoi se si sillen policët e mirë”- tha Simeon Bartee.
Milenium Challenge Corporation (MCC) ka aktivizuar përsëri programin e saj në Kosovë. Në një komunikatë për media lëshuar nga MCC, bëhet e ditur se vendimi është marrë pas heqjes së masave të reciprocitetit nga qeveria Hoti.
Në komunikatë thuhet se MCC mirëpret vendimin e qeverisë për taksën dhe masën e reciprocitetit ndaj mallrave serbe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin reflektimin e Kosovës në çështjen e taksës dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC është e kënaqur që të rifillojë zbatimin e programit kompakt të propozuar në Kosovë. MCC pret një partneritet të vazhdueshëm, të fortë me popullin e Kosovës dhe qeverinë e tyre ndërsa ne punojmë së bashku për të zvogëluar varfërinë përmes rritjes ekonomike”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë, se MCC kishte bllokuar investimet e saja në Kosovë pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të hequr taksën ndaj mallrave serbe.
Një vendim i tillë i MCC-së ishte marrë gjatë kohës së qeverisjes Kurti.Express
Ish-Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, MichaelChertoff, komenton në një intervistë për situatën në Shtetet e Bashkuara. Duke folur përIa Meurmeshviline shërbimit gjeorgjian të Zërit të Amerikës, zoti Chertoff flet për çfarë duhet bërë që të ulen tensionet, si dhe për shfrytëzimin e situatës aktuale ngafuqi kundërshtare, si Kina dhe Rusia.
Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare MichaelChertoff thotë se shkëndija e tensioneve të tanishme ishte arrestimi dhe prangosja e një personi që dyshohej se kishte kryer një krim jo të dhunshëm.
“I vendosën prangat dhe për ndonjë arsye që nuk ka fare kuptim, donin ta shtrinin në tokë. Njëri prej policëve vendosi gjurin mbi qafën e individit për 8 minuta, duke shkaktuar vdekjen e tij. Dhe sigurisht ndaj tij tashmë janë ngritur akuza për vrasjen e afrikano-amerikanit që kishte prangosur, duke shkaktuar edhe zemërim tek njerëzit. Në fakt, kemi patur një numër incidentesh gjatë vitit të fundit ku duket se në veçanti afrikano-amerikanët kanë qenë viktima ose të urrejtjes, ose të zemërimit, ose të ndonjë emocioni tjetër të padrejtë që ka përfunduar me vdekjen”, tha zoti Chertoff.
Pasi përmend raste të tjera të ditëve të fundit, zoti Chertoff thotë se shumica e komuniteteve të pakicave, dhe të tjerë, janë thellësisht të ofenduar dhe të trazuar nga manifestime të tilla të racizmit, dhe në disa raste, të dhunës nga policia.
“Kjo ndezi realisht demonstratat. Do të thoja se shumica e njerëzve që po marrin pjesë në demonstrata, nuk janë të dhunshëm. Ata po ushtrojnë vërtet të drejtën e tyre për fjalën e lirë dhe po protestojnë. Fatkeqësisht, ekziston një numër i vogël që janë të dhunshëm, që janë provokatorë. Janë ose ekstremistë të djathtë, ose ekstremistë të majtë, dhe dëshirojnë vërtet të nxisnin një konflikt të dhunshëm. Kjo ndodh herëpashere. Ekziston një numër njerëzish që dëshirojnë ta shfrytëzojnë situatën për të plaçkitur. Pra janë këto dy grupime, ekstremistët dhe plaçkitësit, që po krijojnë imazhin e trazirave të dhunshme. Por në fakt, shumica po protestojnë paqësisht”, thotë ai.
Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare nuk është dakord me përdorimin e ushtrisë për protestat, pasi ushtria mund të aktivizohet vetëm për raste tepër të veçanta dhe se është vepruar kështu vetëm një ose dy herë gjatë 50 viteve të fundit.
“Kur ka patur rrethana të tilla në të kaluarën, udhëheqësit e vendit kanë dalë dhe kanë folur siç foli tani ish-Presidenti Bush, se ‘E kuptoj dhimbjen. Jam i pikëlluar dhe i zemëruar nga ajo që i ndodhi zotit Floyd. Duhet të përmirësohemi.’ Dhe shpresoj që Kongresi të punojë për projekt-ligje që do të trajtojnë sjelljen e gabuar të policisë. Kjo do t’u jepte demonstruesve ndjesinë se po i dëgjojnë”, thotë zoti Chertoff.
Sidoqoftë zoti Chertoff thotë se përgjegjësia më e madhe do të jetë mbi shpatullat e udhëheqësve të komuniteteve, të cilët duhet tu bëjnë thirrje njerëzve ta ngrenë zërin dhe të votojnë njerëzit e duhur për tu përballur me çështje, si pabarazia, urrejtja, paragjykimi dhe reagimi i tepruar policor.
Gjithashtu, në këtë periudhë delikate për Shtetet e Bashkuara, fuqi të huaja, si Rusia dhe Kina, duket se po përfitojnë nga situata. Vetëm pak ditë më parë për shembull, ministri i jashtëm kinez përsëriti fjalët e GeorgeFloyd-it “nuk marr dot frymë”.
“Nuk befasohem kur mësoj se Rusia dhe Kina po përdorin mediat sociale për rritur tensionet. Nëse kthehemi pas në kohë me nja dy vite, është e qartë se rusët u përpoqën të shkaktonin zemëratë mes lëvizjes ‘BlackLivesMatter’ dhe policisë, me qëllim shkaktimin e dhunës”, thotë ai.
Ish-Sekretari i Sigurisë Kombëtare thotë se tashmë Kina po përballet me situatën e Hong Kongut dhe se këto zhvillime në Amerikë janë si një dhuratë për të. Autoriteteve kineze, tha ai, u pëlqen së tepërmi të kapen pas ndonjë krize dhe ta përdorin si justifikim për të goditur më tej demokracinë dhe fjalën e lirë.Megjithëse bën thirrje për vigjilencë ndaj aktorëve të huaj në internet që mundohen të hiqen si amerikanë, zoti Chertoff paralajmëron se rreziku më i madh po vjen nga vetë shtetas amerikanë që aderojnë në grupime ekstremiste.
Uashingtoni po përgatitet për një protestë të madhe të shtunën, një vazhdim i demonstratave prej disa ditësh në këtë qytet dhe në mbarë Shtetet e Bashkuara, pas vdekjes së një afrikano-amerikani ndërsa mbahej nga policia.
Shefi i Departamentit të Policisë Metropolitane të Distriktit të Kolumbias, Peter Newsham, u tha gazetarëve të enjten se autoritetet presin që mijëra protestues të shkojnë në Uashington për protestën që “mund të jetë një nga më të mëdhatë që kemi pasur në qytet“.
Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, i dërgoi një letër Presidentit Donald Trump të enjten duke i kërkuar që të “tërhiqte të gjithë prezencën e jashtëzakonshme të oficerëve federalë të organeve ligjzbatuese dhe praninë ushtarake nga Uashingtoni“.
Administrata Trump ka dislokuar personel ushtarak federal dhe Gardën Kombëtare për t’iu përgjigjur protestave në qytet, duke shkaktuar kritika të mëdha nga zyrtarë të qytetit dhe aktivistë, se veprimet e tyre po përshkallëzojnë tensionet.
Kryebashkiakja Bowser dënoi patrullimin e rrugëve nga zyrtarët federalë të zbatimit të ligjit, të cilët ndërmarrin veprime pa marrë parasysh “zinxhirët e komandimit që janë krijuar”.
Administrata Trump u kritikua gjerësisht pasi autoritetet federale qëlluan me plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit paqësorë jashtë Shtëpisë së Bardhë, në mënyrë që Presidenti Trump të mund të ecte drejt një kishe aty pranë dhe të pozonte për kamerat me një Bibël në dorë.
Protestat në Uashington kanë ndodhur çdo ditë që nga e premtja e kaluar. Demonstratat paqësore gjatë orëve të paradites të shtunën dhe të dielën u kthyen në të dhunshme pas rënies së natës, me plaçkitje dhe akte të tjera dhune.
Kryebashkiakja Bowser tha të enjten se u hoq për herë të parë këtë javë shtetrrethimi që fillonte në orën 7 pasdite, pasi protestat u bënë më paqësore me çdo ditë që kaloi.
Në lidhje me protestën e planifikuar, shefi i policisë Newsham tha se “Ne presim që demonstrata e së shtunës të mbedhë më shumë nga të njëjtët demonstrues paqësorë që vijnë për të ushtruar të drejtën e Amendamentit të Parë, në Uashington, D.C.“.
Megjithëse priten turma të mëdha të shtunën, rreth 700 anëtarë të Divizionit të 82-të Parashutist u kthyen në Fort Bragg, të Karolinës së Veriut. Ata ishin pozicionuar në shtetin Virxhinia, në afërsi të Uashingtonit, dhe nuk hynë në qytet gjatë protestave.
Prania e forcave ushtarake ngriti shqetësimin se Presidenti Trump do të përdorte Ligjin për Rebelimin, për t’u lejuar forcave ushtarake që të përballen me mijëra njerëz që kanë protestuar çdo natë në qendër të Uashingtonit.
Protestat në Uashington dhe në dhjetëra qytete në të gjithë Amerikën u nxitën nga vdekja e George Floyd-it, një afrikano-amerikan që vdiq pasi një polic i bardhë i vendosi gjurin në qafë për më shumë se tetë minuta ndërsa Floyd përgjërohej se nuk mund të merrte frymë. Kjo ishte vdekja më e fundit nga shumë vdekje të amerikanëve me ngjyrë gjatë ose pas shkëmbimeve me oficerë të bardhë.
Vdekja e Floyd-it ndezi protesta mbarëkombëtare që kërkojnë drejtësi dhe reformim të sistemit.
Që nga fillimi i protestave, perimetri i sigurisë rreth Shtëpisë së Bardhë ka vazhduar të zgjerohet. Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për protestën e planifikuar.
Të premten, kryebashkiakja Bowser ndryshoi zyrtarisht emrin e një rruge që çon në Shtëpinë e Bardhë duke e emërtuar “Black Lives Matter Plaza” pasi autorizoi punonjësit e qytetit të shkruanin parullën me shkronja të mëdha të verdha mbi rrugën.
Mbetet e paqartë se cilat grupe po planifikojnë demonstrimin e së shtunës.
Qyteti i Mineapolisit, në shtetin e Minesotës ra dakord të premten që të ndalojë përdorimin nga policia të kapjes nga fyti, pasi afrikano-amerikani George Floyd vdiq ndërsa ishte i ndaluar nga policia, duke shkaktuar protesta që vazhdojnë prej dy javësh në gjithë Amerikën.
Negociatorët e bashkisë ranë dakord me shtetit e Minesotës që ta ndalojnë një taktikë të tillë dhe që t’i kërkojnë policisë të ndërhyjë dhe të raportojë çdo përdorim të paautorizuar force nga oficerë të tjerë.
Këshilli Bashkiak i qytetit e miratoi njëzëri marrëveshjen, pasi Departamenti i të Drejtave të Njeriut i Minesotës filloi një hetim për të drejtat civile këtë javë në përgjigje të vdekjes së George Floyd-it.
Floyd vdiq më 25 maj, pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë për mbi tetë minuta, ndërsa Floyd thoshte se nuk merrte dot frymë, e fundit në një sërë vdekjesh afrikano-amerikanësh në konfrontime ose pas konfrontimit me policinë. zëri i amerikës
Ish-shefi i personelit të Presidentit Donald Trump, John Kelly tha se ishte dakord me ish-Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis i cili sulmoi këtë javë me një deklaratë zoti Trump se po përpiqej “të përçante” Amerikën dhe tha se ai përbënte kërcënim për Kushtetutën.
“Mendoj se duhet të shikojmë më me kujdes se kë zgjedhim”, tha zoti Kelly të premten në një intervistë me ish-Drejtorin e Komunikimeve të Shtëpisës së Bardhë, Anthony Scaramucci.
“Mendoj se pavarësisht se cilat janë pikëpamjet tona për politikën, duhet të analizojmë karakterin e njerëzve që kandidojnë për poste. Cila është etika e tyre? A kanë ata vullnetin nëse zgjidhen, që të përfaqësojnë të gjithë zgjedhësit, jo vetëm bazën e tyre? Dhe pastaj të shohim politikën e tyre”, tha zoti Kelly.
Disa nga komentet e tij ishin të ngjashme me deklaratën e Mattisit, që u botua të mërkurën në revistën The Atlantic të mërkurën.
“Në jetën time, Donald Trumpi është presidenti i parë që nuk përpiqet t’i bashkojë amerikanët, dhe as pretendon ta bëjë një gjë të tillë”, u shpreh zoti Mattis.
Që nga vdekja më 25 maj në Mineapolis e George Floyd, një afrikano-amerikan i asfiksuar nga një polic i bardhë, një valë historike zemërimi është përhapur në qytetet amerikane, duke denoncuar racizmin, dhunën e policisë dhe pabarazinë sociale. Qindra mijëra njerëz protestuan paqësisht në të gjithë vendin, por plaçkitjet dhe trazirat gjithashtu dëmtuan lëvizjen.
Donald Trump, shumë i heshtur për përgjigjen e tij ndaj praktikave të denoncuara nga demonstruesit, nga ana tjetër përdori një ton ushtarak dhe kërcënoi të drejtohej tek ushtria për të shuar protestat, duke e prezantuar veten si “president të ligjit dhe rendit”.”Ne nuk duhet të shpërqendrohemi nga një pjesë e vogël veprimesh të jashtëligjshme. “Demonstruesit janë dhjetëra mijëra njerëz me parime që këmbëngulin që të mbrojmë vlerat tona,” tha Jim Mattis.
Presidenti Trump reagoi në Twitter, duke e quajtur zotin Mattis gjeneralin më të mbivlerësuar të botës.
“Nuk më pëlqente stili i tij i ‘udhëheqjes’ apo ndonjë gjë tjetër prej tij dhe shumë të tjerë mendojnë njëlloj. Jam i kënaqur që ka ikur!” zëri i amerikës
Pamjet e një oficeri të bardhë të policisë që i vë gjurin në qafë afro-amerikanit George Floyd, i cili më pas vdiq, kanë ngjallur protesta nga Amsterdami deri në Nairobi, por ato gjithashtu ekspozojnë shqetësime më të thella mes demonstruesve për marrëdhëniet e tensionuara racore në vendet e tyre.
Me përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe autoriteteve në Shtetet e Bashkuara, aktivistë kundër brutalitetit policorë u mblodhën me mijëra në mbështetje të lëvizjes Black Lives Matter në qytete të ndryshme evropiane dhe afrikane.
Protestat paqësore nxorën në pah akuzat për abuzim me të burgosurit afrikano-amerikanë, pabarazinë sociale dhe ekonomike dhe racizmin institucional që vazhdon nga e kaluara koloniale e Holandës, Britanisë dhe Francës.
“Nëse doni të besoni se ne në Hollandë nuk kemi ndonjë problem me racën, ju duhet të shkoni në shtëpi,” i tha Jennifer Tosch, themeluese e kompanisë Black Heritage Amsterdam Tours, para një turme në Amsterdam, nga ku kompania holandeze West India operoi anije që vlerësohet se tregtuan 500,000 skllevër në vitet 1600 dhe 1700.
Në Londër, një protestues mbajti një pllakatë ku shkruhej “Mbretëria e Bashkuar nuk është e pafajshme”, ndërsa në Berlin rreth 2,000 njerëz protestuan përpara ambasadës amerikane dhe dy futbollistë të Bundesligës veshën të hënën bluzat me mbishkrimin “Drejtësi për George Floyd”.
Një mesazh i ngjashëm erdhi nga Dominique Sopo, presidenti i OJQ-së franceze SOS Racisme, e cila organizoi një protestë të vogël përpara ambasadës amerikane në Paris të hënën.
“Çështja e racizmit policor është gjithashtu, megjithëse me një nivel të ulët dhune, një problem që shqetëson Francën,” tha ai.
Policia në veriun e Parisit gjuajti me gaz lotsjellës të martën për të shpërndarë demonstruesit që protestuan për vdekjen në vitin 2016 të një francezi të ri afrikano-amerikanë në arrest policor – një incident që ka tërhequr paralele me vrasjen e Floyd.
Familja e Adama Traore ka fajësuar forcën e tepërt të përdorur gjatë arrestimit të tij, kur 24-vjeçari u hodh në tokë nga tre oficerë policie. Raportet e njëpasnjëshme të patologjisë kanë arritur në përfundime kontradiktore nëse vdekja e tij dy orë më vonë ka rezultuar nga asfiksimi apo faktorë të tjerë, përfshirë kushte para-ekzistuese.
Mes një bllokimi të koronavirusit, aktivistët francezë gjithashtu thonë se ka pasur një numër rastesh të brutalitetit policor në lagje me të ardhura të ulëta, ku shumë janë me origjinë nga Afrika.
Përleshje në Turqi
Në Stamboll, më shumë se 50 njerëz u përleshën me forcat e policisë disa minuta pasi filluan një protestë për George Floyd dhe atë që ata e quajnë brutalitet të policisë në Turqi.
Të paktën pesë persona u arrestuan pas përleshjeve me oficerët që mbanin mburoja, pas së cilës protestuesit e tjerë mbajtën fjalime duke denoncuar forcën vdekjeprurëse të policisë dhe ndalimin e demonstratave në Turqi gjatë pandemisë.
Në Nairobi, protestuesit në ambasadën amerikane mbajtën pankarta ku shkruhej “Black Lives Matter” dhe “Ndal Vrasjeve të Paligjshme”.
“Sistemi që lejon brutalitetin policor të ndodhë në Kenia bazohet në klasë. Në Amerikë, është në bazë racore dhe klasë”.
Protesta janë planifikuar në ditët e ardhshme në Gambia, Britani, Spanjë dhe Portugali.
Në Spanjë, protestuesit do të shënojnë vdekjen e Floyd dhe “të gjitha motrave dhe vëllezërve që kanë vdekur në duart e racizmit institucional në rrugët tona”, tha Komuniteti Afrikan dhe i pasardhësve afrikanë CNAAE.
Protesta e Portugalisë do të trajtojë “mitin se Portugalia nuk është një vend racist”.
Por jo të gjithë në Evropë janë në krah të protestuesve.
Partia e ekstremit të djathtë Vox të Spanjës dhe Partia Liria anti-Islamike e Holandës i quajti ata që protestojnë për vdekjen e Floidit “terroristë” dhe mbështesin Presidentin amerikan Donald Trump.
“Mbështetja jonë është për Trumpin dhe amerikanët që po shohin kombin e tyre të sulmuar nga terroristët në rrugë të mbështetur nga milionerët përparimtarë,” shkroi Vox në Twitter.
Në Holandë, Geert Wilders i Partisë Liria shkroi në Twitter: “Shtëpia e Bardhë nën sulm. Kjo nuk është protestë por anarki nga #AntifaTerrorists”. zëri i amerikës
Protestat e këtyre ditëve në të gjithë Shtetet e Bashkuara kanë qenë kryesisht paqësore, me pjesëmarrjen e njerëzve me prejardhje të ndryshme racore nga të gjitha sferat e jetës, të rinj e të moshuar. Ato kanë përfshirë nëna të cilat frikësohen se ajo që ndodhi me George Floydin, një afrikano-amerikan që vdiq ndërsa ishte ndaluar nga policia, mund t’i ndodhë fare mirë djemve të tyre. Por shumë prej netëve që nga vdekja e George Floydit, kanë qenë të ndryshme, mbushur me dhunë të shfrenuar, zjarrvënie, vandalizëm e përleshje me policinë. Gjithashtu ka pasur incidente të izoluara kur është qëlluar ndaj policisë. Nga ana e tyre, protestuesit fajësojnë policinë për taktikat e ashpra dhe thonë se ata thjesht po mbrojnë veten e tyre.
Por kush qëndron pas dhunës?
Presidenti Donald Trump dhe disa prej zyrtarëve të lartë të administratës së tij akuzojnë për aktet e dhunës, provokatorë “të së majtës radikale”. Prokurori i Përgjithshëm William Barr e ka drejtuar gishtin tek “grupet ekstremiste të majta”, përfshirë Antifa-n, një rrjet grupesh autonome të majta që zbatojne praktika përplasjeje për të arritur qëllimet e tyre politike.
Disa guvernatorë demokratë nga ana e tyre kanë fajësuar grupet e ekstremit të djathtë, duke vënë theksin edhe tek një njoftim i kësa jave nga gjigandi i medias sociale “Twitter” se kishte pezulluar për nxitje të dhune, një llogari të lidhur me një grup nacinalistësh të bardhë të quajtur, “Identity Evropa”. Llogaria ishte krijuar me një profil të rremë të Antifa-s dhe ishte e lidhur me llogari të tjera false që furnizonin vazhdimisht me informacione false e provokuese, duke akuzuar autoritetet dhe kompanitë që ofrojnë shërbimin e internetit për censurimin e lajmeve që lidheshin me protestës.
“Facebook-u” njoftoi gjithashtu këtë javë se kishte pezulluar disa llogari të lidhura me grupe të bardha nacionaliste, pasi ato nxisnin njerëzit që të sillnin armë në protesta. Ndërkohë, anëtarët e të ashtuquajturës lëvizja “Boogaloo”, një grup amorf i ekstremit të djathtë e të majtë, janë parë të marrin pjesë në protesta në disa shtete, përfshirë Minesotën, Teksasin dhe Pensilvaninë, veshur këmisha me motive të Havait, shenjë identifikuese e tyre. Disa përkrahës të “Boogaloo” janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë të supremacistëve të bardhë të quajtur “accelerationists” të cilët janë pro trazirave civile dhe dëshirojnë të nxisin polarizimin e dhunshëm politik, duke shpresuar se do të përfundojë me rrëzimin e rendit aktual politik të SHBA.
Studiuesit e Projektit Kundër ekstremizmit (CEP), një organizatë ndërkombëtare që merret me hartim politikash, themeluar për të monitoruar dhe luftuar grupet ekstremiste, thonë se supremacistët e bardhë dhe neo-nazistët kanë festuar javën e kaluar mbi traziratt në rrugë. Në kanalin e tyre në “Telegram” një grup i dhunshëm neo-nazist, njoftohet se u kishte rekomanduar 5,500 ndjekësve se një protestë e madhe do të siguronte mundësinë e përsosur për të kryer një vrasje. CEP tha se në një tjetër kanal në “Telegram” u tha se ishte koha e duhur për të sulmuar sinagogat ndërsa punonjësit e zbatimin e ligjit janë të shpërqëndruar nga trazirat civile.
Por vazhdon të jetë e paqartë se deri në çfarë mase grupet radikale të së majtës apo të djathtës ekstreme kanë qenë në gjendje të orkestrojnë akte dhune.
Zëvendës shefi i policisë së Nju Jorkut për Zbulimin dhe Kundër Terrorizmit John Miller, beson se anarkistët dhe grupet radikale të majta kanë ushqyer aktet e dhunës në qytet.
“Para se të fillonin protestat, organizatorët e grupeve të caktuara anarkiste u organizuan për mbledhjen e parave për të garantuar lirimin me kusht si dhe njerëzve që do të merreshin me këtë gjë. Ata kishin si qëllim të rekrutonin mjekë dhe ekipe mjekësore me pajisje, në pritje të një përplasjeje të dhunshme me policinë“, tha ai.
Zoti Miller shtoi se “ata u përgatitën për të kryer dëmtime pronash dhe u kërkonin njerëzve që i ndiqnin që kjo gjë të bëhej në mënyrë selektive dhe vetëm në zona të pasura ose në dyqane që tregtojnë mallra të shtrenjta në pronësi të korporatave“. Një në shtatë nga ata që u arrestuan në Nju Jork për vepra të paligjshme kundër rendit publik ishin nga jashtë qytetit, gjë që sic thonë zyrtarët është një fakt që krijon dyshime.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit në disa shtete të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës” thonë se ata besojnë se aktorët nga jashtë një shteti u futën në mesin e protestuesve të komunitetit lokal që demostronin paqësisht. Por ata e pranojnë se ende po përpiqen të vlerësojnë se sa kanë qenë në gjendje provokatorët që të orientojnë rrjedhën e ngjarjeve në rrugë. Disa zyrtarë thonë se nuk duhet shumë për t’i vënë zjarrin situatës dhe për të nxitur turma në një gjendje të shqetësuar, apo pasionantë, duke krijuar një cikël të dyanshëm dhune.
Analistët dhe studiuesit që merren me grupet radikale thonë se kanë pak dyshime nëse ekstremistët ishin të përfshirë në aktet e dhunës gjatë protestave.
“Do të duhet kohë për të zbuluar nëse rrjetet ekstremiste janë përfshirë ose jo” i tha “Zërit të Amerikës”, Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në universitetin shtetëror të Kalifornisë, San Bernardino dhe drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit.
“Disa prej të arrestuarve duket se janë të lidhur me të majtën ekstreme, por të tjerë duket se janë nga e djathta. Disa nga prej tyre thjesht mund të jenë manipulatorë që nxisin situata për emocione momenti ose janë kriminelë oportunistë dhe jo vetëm ideologë, të tjerët individë të paparashikueshëm“, shtoi ai. Dallimi mes tyre mund të jetë i vështirë. “Ne kemi një peizazh socio-politik shumë të fragmentuar aktualisht në Amerikë dhe me në kushtet kur institucionet janë nën stres, përfshirë pandeminë dhe zgjedhjet mendoj vërtet se duhet të rivlerësojmë përmasën e kërcënimit. Ekziston një rezervuar i thellë për rekrutë të mundshëm ekstremistë“, shton ai.