UASHINGTON – Zyrtarët amerikanë të sigurisë kanë paralajmëruar se ekstremistë të dhunshëm vendas përbëjnë kërcënim për zgjedhjet presidenciale të muajit tjetër, ndërsa një zyrtar paralajmëron madje për ekzistencën e përbashkët të tensioneve në rritje politike, trazirave civile dhe fushatave të huaja të dezinformimit.
Dokumenta të FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) thonë se kërcënimi nga ekstremistë vendas ndaj objektivave të lidhura me zgjedhjet pritet të rritet ndërsa afrohen zgjedhjet e 3 nëntorit.
Këto paralajmërime janë bërë deri më tani brenda institucioneve. Por, zyra e sigurisë kombëtare në Nju Xhersi ndërmori hapin e pazakontë për të theksuar publikisht këtë kërcënim në një raport në faqen e saj në internet javën e kaluar.
“Është një përzierje diabolike që nuk ka ndodhur në historinë amerikane. Nëse ka ndodhur, ka qenë dekada më parë, në mos shekuj”, tha Jared Maples, drejtor i Zyrës së Sigurisë Kombëtare dhe Gatishmërisë në New Jersey, e cila publikoi këtë vlerësim të nivel të rrezikut.
Protestat mbarëkombëtare të muajve të fundit për drejtësinë racore dhe ushtrimin e tepruar të dhunës nga policia, kanë qenë përgjithësisht paqësore, por disa prej tyre u pasuan nga përplasje të dhunshme, ndër të tjera edhe mes fraksioneve ekstremiste nga e majta dhe nga e djathta.
Shtetet e Bashkuara po përballen me pandeminë e koronavirusit, papunësinë e lartë dhe zgjedhje të debatueshme presidenciale në një klimë të polarizuar politike.
Presidenti Donald Trump refuzoi javën e kaluar të angazhohej për një transferim paqësor të pushtetit, nëse humbet zgjedhjet përballë rivalit demokrat Joe Biden. Presidenti Trump është përpjekur të hedhë dyshime mbi legjitimitetin e zgjedhjeve për shkak të shqetësimeve të tij për votimin nëpërmjet postës, të inkurajuar nga demokratët gjatë pandemisë së koronavirusit.
Rastet e dokumentuara të manipulimit të votave me postë janë jashtëzakonisht të rralla dhe ekspertët zgjedhorë thonë se do të ishte pothuajse e pamundur që aktorët e huaj të çrregullonin një proces zgjedhor duke dërguar me postë vota false.
Sipas një personi të njohur me përmbajtjen, një dokument i brendshëm i FBI-së paralajmëroi kohët e fundit se ekstremistët vendas të ideologjive të ndryshme kishte gjasa të përbënin rrezik në rritje për objektivat qeveritare dhe ato të lidhura me zgjedhjet, ndërsa afron data e zgjedhjeve. Dokumenti u raportua fillimisht nga Yahoo News.
Një zëdhënëse e FBI-së tha se agjencia “vazhdimisht ndan informacionin me agjencitë partnere të zbatimit të ligjit me qëllim që t’i ndihmojë të mbrojnë komunitetet të cilave u shërbejnë”, por nuk pranoi të komentojë për dokumentin në fjalë.
Një memorandum i Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) i datës 17 gusht thotë se ekstremistët e motivuar ideologjikisht dhe aktorë të tjerë “mund të mobilizoheshin me shpejtësi” për t’u angazhuar në akte dhune për zgjedhjet. Dokumenti, gjithashtu i raportuar fillimisht nga Yahoo News, u konfirmua nga agjensia e lajmeve Reuters nga një person që ishte në dijeni.
Dokumenti thotë se supremacistë të bardhë të vetmuar dhe grupe të tjera me “ideologji të personalizuara” përbëjnë rrezikun më të madh për dhunë vdekjeprurëse.
Një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare solli në vëmendje deklaratat e bëra në shtatornga Sekretari në detyrë Chad Wolf, ku ai u shpreh se departamenti “ka ndërmarrë masa të pashembullta për të trajtuar të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm, duke përfshirë konkretisht kërcënimin nga sulmues të vetmuar dhe nga grupe të vogla”.
Në qendër të vëmendjes
Presidenti Trump dhe zyrtarët më të lartë nuk kanë theksuar deri më tani publikisht ndonjë rrezik për zgjedhjet nga grupe të dhunshme ekstremiste.
Zyrtarë të administratës Trump kanë vënë në dukje anarkistët e krahut të majtë dhe anti-fashistët gjatë protestave në verë kundër ushtrimit të tepruar të dhunës nga policia dhe kundër racizmit. Por, të dhënat e gjykatave federale ofrojnë pak evidencë se të arrestuarit për akte të dhunshme aderonin në grupe të së majtës së skajshme.
Javën e kaluar, dy zyrtarët më të lartë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare pranuan megjithatë gjatë seancave dëgjimore të Kongresit, se supremacistët e bardhë përbënin rrezikun më vdjekjeprurës të brendshëm për Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit.
Drejtori i FBI-së Christopher Wray tha gjatë seancave dëgjimore të Kongresit në fillim të këtij muaji se agjencia e tij po kryente hetime ndaj ekstremistëve të dhunshëm të brendshëm, përfshirë supremacistët e bardhë dhe grupet antifashiste. Ai tha se pjesa më e madhe e hetimeve ishin për grupet supremaciste të bardha.
Supremacia e bardhë, antisemitizmi, rrymat kundër qeverisë dhe ideologjitë e lidhura me to, kishin të bënin me 77 përqind të 454 vrasjeve të dyshuara ekstremiste në vend gjatë dekadës së fundit, sipas të dhënave të përpiluara nga Lidhja Anti-Shpifje, një organizatë kundër urrejtjes me seli në qytetin Nju Jork, e prezantuar në një nga seancat dëgjimore të kongresit javën e kaluar.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Ullyot i tha agjensisë së lajmeve Reuters se përparësia më e lartë e Presidentit Trump është “mbrojtja e Shteteve të Bashkuara nga të gjitha kërcënimet, të huaja dhe të brendshme”, kur u pyet nëse presidenti e kishte përmendur publikisht këtë kërcënim zgjedhor.
Zoti Maples, drejtori i sigurisë kombëtare në Nju Xhersi, tha se agjencia e tij nuk publikoi një vlerësim të kërcënimit parazgjedhor në 2016, por se kjo ishte e nevojshme kësaj here.
“Ne duam që aleatët dhe njerëzit tanë në të gjithë shtetin të pranojnë se duhet të mendojmë për këtë”, tha ai.
Raporti i shtetit Nju Xhersi përshkruan tre skenarë të mundshëm për zgjedhjet e nëntorit: një rezultat i shpejtë i zgjedhjeve; një proces i zgjatur ku përcaktimi i një fituesi merr muaj; dhe një betejë ligjore që përfundimisht shkon në Gjykatën e Lartë.
Secili prej skenarëve mund të çojë në dhunë ekstremiste, me mundësinë e konfrontimeve vdekjeprurëse midis protestuesve dhe dhunës me objektiv oficerët e policisë, përfundon vlerësimi.
Raporti i agjencisë thotë se ekstremistët me siguri do të jenë “anarkistë, antiqeveritarë dhe të motivuar nga raca”, por nuk thotë se cilat grupe paraqesin kërcënimin më të madh.
Kërcënimi ekstremist i brendshëm ka qenë gjithmonë i pranishëm, por po merr më shumë vëmendje këtë vit, thotë Mike Sena, president i Shoqatës Kombëtare të Qendrës së Fuzionit, e cila përfaqëson qendrat koordinuese të drejtuara nga shteti me personel të sigurisë publike nga agjensi federale, shtetërore dhe lokale, të cilët monitorojnë kërcënimet dhe lehtësojnë shkëmbimin e informacionit.
“Ne gjithmonë kemi patur kërcënime gjatë cikleve zgjedhore kombëtare nga ekstremistët e dhunshëm, duke përfshirë organizatat terroriste”, tha ai. “Me ngjarjet aktuale, kjo është më shumë se kurrë në qendër të vëmendjes.”
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington, një organizatë studimore dypartiake, tha në një raport të qershorit se rezultati i zgjedhjeve mund të nxisë dhunë nga e djathta ekstreme ose e majta ekstreme.
“Nëse Presidenti Trump humb zgjedhjet, disa ekstremistë mund të përdorin dhunë sepse ata besojnë – sado gabim – se kishte manipulim, ose se zgjedhja e kandidatit demokrat Joe Biden do të dëmtojë objektivat e tyre ekstremiste”, thotë raporti. “Në anën tjetër, disa në ekstremin e majtë mund të përdorin terrorizmin nëse Presidenti Trump zgjidhet përsëri”. zëri i amerikës