VOAL

VOAL

DASH: Hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë

VOA

Departamenti amerikan i Shtetit tha të mërkurën se hapja e urës së Mitrovicës në këto momente do të rriste gjasat për dhunë dhe i bëri thirrje qeverisë së Kosovës që “të mos ta ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin “asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këto momente”.

“Hapja e urës për trafikun e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit.

DASH-i i bën thirrje qeverisë së Kosovës të mos ta ndërmarrë këtë veprim që e konsideron si “të pakoordinuar dhe të njëanshëm”.

Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë që ta diskutojë këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ky është një pozicion që ne e ndajmë me partnerët tanë të Kuintit – Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – si dhe me BE-në dhe NATO-n. Dhe është një qëndrim që e kemi bërë shumë të qartë, si publikisht ashtu edhe privatisht”, vazhdon deklarata e zëdhënësit.

Departamenti i Shtetit thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që të punojnë me qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura të mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, përfundon deklarata.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë një mbledhjeje të qeverisë se hapja e urës nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë, hapja e urës nuk është kundër askujt”, tha ai.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë kanë shtuar praninë e tyre në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti.

Diplomacia perëndimore ka theksuar vazhdimisht që kur qeveria e Kosovës shprehu synimin për hapjen e urës se nuk është momenti I duhur për një gjë të tillë.

Kryeministri Kurti ka këmbëngulur se hapja e urës do t’i shërbente lëvizjes së lirë.

Vance: Nuk ka asgjë të keqe që Trumpi lëvdon liderë si Xi e Putin

Kandidati republikan për zëvendëspresident, senatori JD Vance (R-Ohio) s’u dha shumë rëndësi shqetësimeve për lëvdimet e ish-presidentit Trump për liderët botërorë si presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin, duke argumentuar se nuk ka “asgjë të keqe” me komente të tilla.

Duke vënë në dukje komentet e ish-presidentit Trump për Xi dhe Putin në një tubim në Montana të premten e kaluar, spikerja e CBS “Face the Nation” Margaret Brennan pyeti Vance-in nëse ai pajtohet me karakterizimin se të dy “ishin individë të këndshëm”.

“Presidenti Trump shkon mirë me liderët botërorë,” u përgjigj Vance. “Dhe nuk ka asgjë të keqe që ai t’i lëvdojë ata si njerëz, nëse kjo e bën atë më efikas nga aspekti diplomatik.”

Brennan ndërhyri, duke sugjeruar se komentet e Trump-it nuk janë “njëlloj si të përballesh me Xi Jinping-in e t’i imponohesh.”

“Jo, nuk është aspak njëlloj, sepse ti mund të imponohesh më lehtë, siç bëri presidenti Trump, nëse ke një marrëdhënie të mirë me njerëzit dhe ata të besojnë se ti do t’i shkosh deri në fund asaj që thua,” tha Vance. “Duhet të kujtojmë se demokratët, duke përfshirë Kamala Harrisin, sulmuan Donald Trump-in për marrëdhënie të mira me Vladimir Putinin.”

Komentet e Trump-it në lidhje me Xi-në dhe liderë të tjerë të huaj janë kritikuar ndonjëherë nga demokratët dhe madje edhe disa republikanë si shumë miqësorë ndaj udhëheqjes autoritare.

Vjet ish-presidenti e përshkroi Xi-në si “të zgjuar, gjenial, gjithçka perfekte” dhe vuri në dukje se ai e drejton Kinën “me një grusht të hekurt”.

Trump ka folur në mënyrë të ngjashme për Putinin dhe ka pohuar vitin e kaluar se ai ishte “drita e syve të [Putinit]” gjatë presidencës së tij.

Vance të dielën përsëriti pikën e përbashkët të Trump se Putini nuk pushtoi një vend tjetër nën mandatin e tij, duke u përpjekur ta krahasojë atë me luftën Rusi-Ukrainë që shpërtheu nën administratën e Biden-it.

“Kur Donald Trump-i ishte president, Vladimir Putini nuk pushtoi një vend tjetër. Kur Kamala Harrisi ishte zv/presidente, ai e pushtoi,” tha Vance. “Pra, ndoshta ata duhet të marrin një mësim nga strategjia e Trump-it për legjitimitetin diplomatik, sepse unë mendoj se Donald Trump-i ka bërë shumë sepse liderët botërorë e respektonin.”sn

Burimi: Thehill.com

Dallimet e Trump-it me republikanët e tjerë për politikën e jashtme

VOA/Katherine Gypson

Republikanët në Kongres mbështesin shumë çështje të ngjashme me ato të kandidatit të tyre për President Donald Trump sa i përket politikës së jashtme. Kjo përfshin mbështetjen e Uashingtonit për Izraelin. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit kanë ende dallime të rëndësishme sa i përket politikave ndaj Kinës, tarifat dhe ndihmat për Ukrainën, që mund të vështirësojnë mandatin e dytë të ish Presidentit Trump.

Ish-presidenti Donald Trump u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu muajin e kaluar…

“Asnjë president nuk ka bërë atë që kam bërë unë për Izraelin dhe ne kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë”, tha zoti Trump.

Ish Presidenti Trump e ka kritikuar më parë Kryeministrin Netanyahu për dështimet e sigurisë që ai pretendon se mundësuan sulmin e Hamasit të 7 tetorit. Gjatë administratës së zotit Trump ishte e vështirë të parashikoheshin veprimet e tij në kuadër të politikës së jashtme. Një analist i tha Zërit të Amerikës se platforma e politikës së jashtme të Partisë Republikane për vitin 2024 e pasqyron këtë paparashikueshmëri.

“Nuk ka shumë të dhëna dhe kjo i jep atij përparësinë për të qenë në gjendje të formulojë një politikë në mënyrën që ai e sheh të arsyeshme për momentin, në vend që të bllokohet me politika të përcaktuara qysh në fillim të një mandati”, thotë Chris Turtle nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë.

Kolegët republikanë të zotit Trump thonë se aplikacioni i mediave sociale ‘TikTok’ kontrollohet nga qeveria kineze dhe mund të përdoret për të marrë informacione mbi përdoruesit dhe për të ndikuar në bindjet e tyre politike.

“Unë nuk dua që Partia Komuniste Kineze të marrë të dhënat personale të qytetarëve tanë dhe as të jetë në gjendje të bëj propagandë ndaj publikut amerikan”, thotë Mitt Romney, senator republikan.

Por zoti Trump nuk pajtohet më me ndalimin e TikTok-ut.

“Ne do ta shpëtojmë TikTok-un. Ata duan të shkatërrojnë atë. Pra, të gjithë përdoruesit në TikTok, votoni për Trump-in”.

Ish Presidenti gjithashtu ka kritikuar NATO-n, duke pretenduar se vendet anëtare nuk paguajnë aq sa duhet për mbrojtjen e përbashkët. Kandidati i tij për Nënpresident JD Vance, ka qenë edhe më kritik ndaj dërgimit të ndihmave amerikane në Ukrainë.

“Le të mos e ngatërrojmë guximin e trupave ukrainase me faktin se ata kanë udhëheqjen dhe qeverinë më të korruptuar në Evropë dhe ndoshta kudo në botë”, thotë zoti Vance.

Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimin e udhëheqësit të shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë se ndihma për Ukrainën është thelbësore për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.

“Nuk është më një çështje e garantuar që Amerika do të përgjigjet me forcë ndaj agresionit apo edhe nëse do të mbështesë aleatët tanë 100%”, thotë zoti McConnell.

Analistët thonë se zotimet e zotit Trump për të rritur tarifat nëse ai fiton zgjedhjet mund të shkaktojnë konfliktin më të madh me ligjvënësit republikanë.

“Kjo tregon ndryshimin e Partisë Republikane që nga viti 2016, sepse republikanët historikisht kanë qenë mbështetës të tregtisë së lirë”, thotë Gordon Grey nga Universiteti ‘George Washington’.

Ish Presidenti Trump është zotuar të vendosë të paktën 60% tarifa për Kinën dhe 10% tarifa për importet nga vendet e tjera nëse ai fiton.

Kancelari austriak: Shkatërruam një degë të ISIS-it që synonte sulm vdekjeprurës në koncertet e Taylor Swiftit

VOA

Një i ri austriak i cili u arrestua bazuar në dyshimet për komplot për sulm në një koncert të këngëtares Taylor Swift në Vjenë planifikonte të kryente një sulm vetëvrasës që do të kishte shkaktuar “gjakderdhje” dhe ishte betuar për besnikëri ndaj Shtetit Islamik, tha kancelari austriak Karl Nehammer të enjten.

I dyshuari po planifikonte një sulm vdekjeprurës në mesin e rreth 20,000 adhuruesve të këngëtares Swift që do të mblidheshin jashtë stadiumit Ernst Happel të Vjenës, tha më herët, Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Sigurisë dhe Zbulimit austriak.

Dy të rinj të tjerë austriakë të moshës 17 dhe 15 vjeç u arrestuan të mërkurën për komplotin.

Rrjeti amerikan ABC citoi burime të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës të ishin shprehur se autoritetet austriake kishin marrë informacion mbi rrezikun në koncertin e këngëtares Swift nga inteligjenca amerikane.

Zëdhënesi i Departamentit të Shtetit tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin qenë në komunikim me autoritetet austriake mbi dyshimet për një komplot për një sulm gjatë koncertit të këngëtares amerikane, por nuk konfirmoi njoftimet se autoritetet amerikane të zbulimit u kishin dhënë atyre informacione mbi një sulm të planifkuar.

“Ne kemi qenë në kontakt me qeverinë austriake mbi këtë çështje. Është praktike që ne ndajmë informacion me aleatët dhe parnterët tanë mbi aktivitetet terroriste njësoj siç ata ndajnë informacion me ne”, tha zëdhënësi Matthew Miller gjatë një komunikimi me gazetarët.

Autoritetet austriake arrestuan të mërkurën një shtetas të Austrisë 19 vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut, si të dyshuar për përfshirje në një komplot të dështuar për të sulmuar koncertet e këngëtares Taylor Swift, tashmë të anuluara, që planifikoheshin të mbaheshin në Vjenë

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, i tha të enjten Zërit të Amerikës se autoritetet austriake kane kërkuar nga kjo ministri “kontrollin e një personi me origjine nga Maqedonia e Veriut, i cili dyshohet për përfshirje në planifikim të një një sulmi terrorist në Vjenë”.

Shkupi sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës “po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake, por nuk dha më shumë hollësi se nga cila pjesë e vendit e kanë origjinën prindërit e të dyshuarit.

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut i dyshuari quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari.

Ndërkohë autoritetet austriake thanë se gjetën materiale të grupit të Shtetit Islamik dhe al-Kaidës në shtëpinë e të dyshuarit të dytë për përfshirje në komplot.

“Situata ishte serioze, situata është serioze. Por mund të themi se u parandalua një tragjedi”, tha të enjten në Vjenë, ministri i Brendshëm Gerhard Karner.

Autoritetet e sigurisë thanë se i dyshuari i dytë, një shtetas austriak 17-vjeçar me origjinë turke dhe kroate, u arrestua nga forcat e posaçme të policisë pranë stadiumit ku planifikohej mbajtja e koncerteve këtë javë. Emrat e të dyshuarve nuk u publikuan në përputhje me rregullat austriake të privatësisë.

Zyrtarët austriakë të sigurisë pretenduan se dy të rinjtë donin të kryenin një sulm jashtë stadiumit, duke vrarë sa më shumë njerëz që të ishte e mundur duke përdorur thika ose mjete shpërthyese artizanale.

Ata u thanë gazetarëve në një konferencë për shtypin në Vjenë se i dyshuari kryesor, një 19-vjeçar austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut, rrëfeu plotësisht planet e tij të sulmit. Ata thanë se ai ishte “qartësisht i radikalizuar në frymën e Shtetit Islamik dhe mendon se është e drejtë të vriten të pafetë”.

“Ai deklaroi se donte ta kryente sulmin duke përdorur eksploziv ose armë të ftohta, armë këto që janë gjetur. Ai po i shqyrtonte të dyja opsionet. Qëllimi i tij ishte të vriste veten dhe një turmë të madhe në koncert”, tha Omar Haijawi-Pirchner, drejtor i Sigurisë dhe Zbulimit austriak.

Autoritetet publikuan një fotografi të mbuluar të 19-vjeçarit i cili kishte lënë punën me 25 korrik, duke deklaruar se “kishte ende plane të mëdha”.

I dyshuari i dytë ishte punësuar pak ditë më parë në një kompani që ofron shërbime në mjediset e koncerteve. Hetuesit thanë se gjetën materiale të gjera në lidhje me grupin e Shtetit Islamik dhe al-Kaida në shtëpinë e tij.

Anulimi koncerteve pikëlloi adhuruesit e këngëtares Taylor Swift në të gjithë botën, shumë prej të cilëve kishin shpenzuar mijëra euro për udhëtime dhe akomodime në kryeqytetin e shtrenjtë të Austrisë për të ndjekur koncertet.

“Do të flas për veten dhe miqtë e mi. Jemi të shokuar. Anulimi i koncertit na ka mërzitur, por githashtu jemi mirënjohës që autorët e këtyre planeve u kapën para se të vepronin”, thotë Emma Soto, një ardhuruese e këngëtares Taylor Swift që udhëtoi nga Shtetet e Bashkuara në Austri.

Sipas Franz Ruf, drejtori i sigurisë publike në ministrinë e Brendshme të Austrisë, në shtëpinë e të dyshuarit 19-vjeçar u gjetën lëndë kimike dhe pajisje teknike.

Në një intervistë të enjten me programin Oe1 të transmetuesit publik ORF, zoti Ruf tha se hetuesit po vlerësojnë provat e sekuestruara nga shtëpia e të dyshuarit. Vetëm pak javë më parë, 19-vjeçari kishte postuar në një llogari në internet një betim për besnikëri ndaj udhëheqësit aktual të grupit Shteti Islamik, shtoi ai.

Zëvendës kancelari i Austrisë Werner Kogler, shkroi në platformën e sociale X se “për shumë njerëz, një ëndërr është shkatërruar sot. Në tre mbrëmje në Vjenë, dhjetëra mijëra adhurues të këngëtares Swift duhet të kishin festuar së bashku”.

“Më vjen shumë keq që ua mohuan këtë. Adhuruesit e Swiftit qëndrojnë së bashku, urrejtja dhe terrori nuk mund ta shkatërrojnë atë”, shkroi zoti Kogler të mërkurën vonë.

Fqinjët e 19 vjeçarit të arrestuar, thanë të enjten se familja e tij jetonte shumë e mbyllur.

“Ne nuk i shihnim ata në oborrin e shtëpisë së tyre apo fëmijët e tyre jashtë”, tha një fqinje, duke qëndruar në pragun e saj.

“Ata ishin gjithmonë miqësorë dhe përshëndesnin, por ideja për të shkuar tek ata për të pirë kafe së bashku ose për të ardhur për të na parë, nuk ndodhi”, tha ajo.

Sipas fqinjës, familja e të dyshuarit u zhvendos në Ternitz, një orë larg me makinë në jug të kryeqytetit austriak dhe afër kufirit hungarez, rreth pesë vjet më parë.

“Ata u shpërngulën këtu nga Vjena. Ata janë vjenez me prejardhje nga Maqedonia (e Veriut)”, shtoi ajo.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Donald Trump e Kamala Harris debatojnë me 10 shtator

VOA

Rrjeti ABC tha të enjten se kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe rivalja e tij demokrate Kamala Harris, do të debatojnë me 10 shtator në këtë rrjet, ndërsa zoti Trump tha se dëshiron të shtojë dy debate të tjera atë muaj në rrjetet Fox dhe NBC.

Në një konferencë për shtypin në rezidencën e tij në Palm Beach të Floridës, zoti Trump tha se donte debate edhe me 4 dhe 25 shtator. Ai nuk dha hollësi nëse do të kishte një audiencë dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse fushata e tij i kishte bërë një propozim kampit të zonjës Harris.

Fushata e nënpresidentes amerikane nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm mbi dëshirat e zotit Trump, ndërsa është pajtuar me debatin e planifikuar për datën 10 shtator.

“Dëgjova se Donald Trump më në fund është zotuar të debatojë me mua me 10 shtator. Pres me padurim”, shkroi të enjten në rrjetin X, nënpresidentja Harris.

Ish presidenti Trump kishte sugjeruar më parë se ai mund të tërhiqej nga debati në rrjetin ABC, i cili ishte planifikuar përpara se zonja Harris të zëvendësonte presidentin Joe Biden si kandidate presidenciale, më pak se tre javë më parë.

Konferenca e sotme ishte paraqitja e parë publike e zotit Trump që kur zonja Harris zgjodhi të martën guvernatorin e Minesotës Tim Walz, si kandidat të saj për postin e nënpresidentit.

Zonja Harris dhe zoti Walz kanë mbajtur tubime në Pensilvani, Miçigan dhe Wisconsin këtë javë, duke tërhequr dhjetëra mijëra pjesëmarrës, në një shenjë të re se si përfshirja e saj e vonshme në garë, ka ngjallur demokratët.

Ngritja e saj e shpejtë ka bërë që ekipi i zotit Trump të përpiqet të riorganizojë strategjinë dhe mesazhet e tij. Anketat tregojnë se zonja Harris ka fshirë epërsinë që zoti Trump kishte shënuar ndaj presidentit Joe Biden dhe demokratët kanë grumbulluar qindra miliona dollarë nga votuesit dhe donatorët e mëdhenj brenda disa javësh.

I pyetur të enjten se si e ka ndryshuar qasjen e tij përballë sfidës së re nga zonja Harris, zoti Trump këmbënguli se nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Në një seancë pyetje-përgjigjesh me gazetarët, që zgjati më shumë se një orë, Zoti Trump kaloi nga tema në temë, duke pretenduar se zonja Harris dhe zoti Walz janë kandidatë të dobët që tashmë po binin në anketa.

Pavarësisht kësaj, ai u ankua q nuk është në gjendje të përballet me zotin Biden në zgjedhje, duke sugjeruar se presidenti ishte viktimë e një komploti kundër kushtetues për ta larguar atë nga maja e Partisë Demokratike.

Presidenti Biden hoqi dorë nga gara nën trysninë e kolegëve demokratë të shqetësuar për shanset e tij për fitore në zgjedhjet e 5 nëntorit, pas një debati të dobët kundër zotit Trump.

Ish presidenti Trump gjithashtu u tall me numrin e pjesëmarrësve në fushatën e zonjës Harris, ndonëse tubimet e saj janë krahasuar së fundmi me tubimet e tij. Ai pretendoi në mënyrë të rreme se madhësia e turmës së cilës iu drejtua më 6 janar të vitit 2021, ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin, ishte po aq sa ajo që mbushi Parkun Kombëtar në Uashington për fjalimin e Dr. Martin Luther Kingut në vitin 1963 “I Have a Dream”.

“Ne në fakt kishim më shumë njerëz”, tha zoti Trump. “Por, në rregull, sepse më pëlqente Dr. Martin Luther Kingu”.

Duke i bërë jehonë një kritike të kohëve të fundit nga fushata e tij, zoti Trump kritikoi zonjën Harris se nuk ka dhënë asnjë intervistë për shtypin që nga fillimi i fushatës së saj.

Zoti Trump ka dhënë një varg intervistash në media, megjithëse ato zakonisht janë miqësore me të dhe me prirje të djathtë. Të mërkurën, ai mori pjesë në programin e mëngjesit “Fox & Friends”.

Zonja Harris dhe zoti Walz u takuan me punëtorët e prodhuesve të makinave në Detroit të enjten, pasi morën mbështetjen e sindikatës së tyre, si pjesë e një përpjekjeje për të mobilizuar punëtorët në shtetet thelbësore të betejës elektorale.

Fushata e zonjës Harris anuloi tubimet të enjten në Karolinën e Veriut dhe të premten në Xhorxhia, ku stuhia tropikale Debby po sjell shira të dendur dhe përmbytje të rrezikshme. Demokratët do të shkojnë në Arizona dhe Nevada më vonë këtë javë, duke vizituar dy shtete të tjera që mund të luajnë një rol thelbësor në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Kandidati republikan për postin e nënpresidentit, senatori JD Vance nga Ohajo, gjithashtu anuloi veprimtaritë e fushatës në Karolinën e Veriut të enjten për shkak të stuhisë. Ai i ka kaluar ditët e fundit duke ndjekur zonjën Harris dhe zotin Walz në të gjithë vendin, një lëvizje e pazakontë që synon të sigurojë një “kontrast”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.

Përvoja e gjatë e kandidatit demokrat për nënpresident Tim Walz në Kinë

VOA

TAIPEI, Tajvan – Duke filluar nga mësimdhënia në një shkollë të mesme në Kinë e deri tek përvoja e tij si anëtar i një komisioni të rëndësishëm të Kongresit mbi marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit, kandidati demokrat për nënpresident Tim Walz ka patur lidhje prej disa dekadash me Kinën që fillojnë që nga koha e protestave për demokraci të vitit 1989 në sheshin Tiananmen.

Zoti Walz ishte mësues i historisë dhe kulturës amerikane, si dhe i gjuhës angleze në shkollën e mesme Foshan në krahinën jugore kineze Guangdong në vitin 1989, vitin kur qindra mijëra studentë kinezë protestuan kundër Partisë Komuniste Kineze në pushtet në sheshin Tiananmen.

“Kina po hapej dhe kjo ishte arsyeja që shkova”, deklaroi zoti Walz në një intervistë për portalin ‘The Hill’ në Uashington, në vitin 2007. Gjatë mësimdhënies njëvjeçare në Kinë, nxënësit i dhanë nofkën “Fushat e Kinës” për shkak të mirësisë së tij.

Koha që qëndroi në Kinë, ndikoi në përshtypjet e tij për jetën e kinezëve nën Partinë Komuniste.

“Po të kishin një udhëheqje të mirëfilltë, arritjet e tyre nuk do të kishin kufi”, deklaroi ai në një intervistë për gazetën ‘Star Herald’ në vitin 1990, duke e përshkruar përvojën e mësimdhënies në Kinë si “njërën nga gjërat më të vlefshme” për të.

Interesimi i tij për Kinën nuk u ndal aty. Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, zoti Walz dhe bashkëshortja e tij themeluan një kompani të quajtur “Shkollimi përmes aventurave të udhëtimit” për të organizuar ekskursione verore të nxënësve amerikanë në Kinë.

Pesë vjet pas protestave në Sheshin Tiananmen dhe shtypjes së dhunshme të tyre nga qeveria kineze, zoti Walz u kthye në Kinë me bashkëshorten e tij për të kaluar atje muajin e mjaltit dhe me vete morën dy grupe nxënësish amerikanë. Ai dhe bashkëshortja e tij vazhduan të organizojnë programe verore për nxënësit amerikanë në Kinë deri në vitin 2003.

Aktivist për të drejtat e njeriut në Kinë

Pasi u zgjodh ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2007, zoti Walz vazhdoi të përqendrohet në çështjet që lidhen me Kinën. Si ligjvënës në Kongres, ai ishte pjesë e Komisionit ekzekutiv të Kongresit për Kinën, synimi i vetëm i të cilit është të merret me të drejtat e njeriut në Kinë.

Brenda një periudhe të shkurtër, zoti Walz u bë kritik i zëshëm i qeverisë kineze. Ai takoi rregullisht aktivistë të profilit të lartë nga Kina dhe Hong Kongu, përfshirë aktivistin Joshua Wong dhe udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në vitin 2014, zoti Walz përkujtoi përshtypjet si dëshmitar i protestave të studentëve në Sheshin Tiananmen. “E mbaj mend që u zgjova me 4 korrik me lajmin që kishte ndodhur e paimagjinueshmja”, deklaroi ai.

Ndonëse shumica e amerikanëve në atë kohë vendosën të largohen nga Kina për shkaqe sigurie pas protestave në Sheshin Tiananmen në vitin 1989, zoti Walz tha se ai besonte se ai “ishte një moment i rëndësishëm për të shkuar” në Kinë, ngaqë dëshironte të sigurohej se “ajo që po ndodhte duhej treguar”, si dhe për t’u përcjellë kinezëve mesazhin se bota e jashtme është me ta.

Veç angazhimit me aktivistë nga Kina dhe Hong Kongu, zoti Walz po ashtu propozoi bashkë me ligjvënës tjerë disa rezoluta për çështje të rëndësishme të të drejtave të njeriut në Kinë, përfshirë rezolutat që kërkonin lirimin e nobelistit kinez Liu Xiaobo dhe aktivistit Huang Qi. Ai po ashtu ka nënshkruar në cilësinë e garantuesit Deklaratën për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Hong Kong në vitin 2017.

Në njërën nga deklaratat e tij si ligjvënës në vitin 2016, zoti Walz theksoi rëndësinë e “dialogut konstruktiv” me Pekinin për të siguruar “mbrojtjen e kulturës tradicionale të Tibetit dhe ekologjinë e brishtë të tij.”

“Shtetet e Bashkuara u themeluan mbi idenë e lirive universale dhe unë besoj se duhet të vazhdojmë të nxisim qeverinë kineze që të mos ua kufizojë lirinë fetare tibetianëve”, deklaroi ai.

Politika e jashtme

Krahas të qenit kritik i zëshëm për të drejtat e njeriut në Kinë, zoti Walz gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth përpjekjeve të Kinës për të zgjeruar praninë e saj në Detin e Kinës Jugore në vitin 2016, duke iu referuar planeve të Pekinit për të ndërtuar ishuj artificialë në ujërat e kontestuara, si dhe ka kundërshtuar përpjekjet e Uashingtonit për të zvogëluar buxhetin ushtarak.

Përkundër qëndrimit të tij të palëkundur për të drejtat e njeriut në Kinë dhe pranisë ushtarake, zoti Walz ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Kinën. “Unë nuk jam në kategorinë e njerëzve që mendojnë se me Kinën duhet patjetër të kemi marrëdhënie armiqësore,” deklaroi ai në një intervistë për portalin ‘Agri Pulse.’

“Mendoj se duhet të qëndrojmë të palëkundur rreth asaj që Pekini po bën në Detin e Kinës Jugore, por ka shumë fusha të tjera bashkëpunimi ku mund të punojmë,” shtoi zoti Walz.

Disa analistë thonë se lidhjet e thella të zotit Walz me Kinën dhe e kaluara e tij në diplomacinë midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mund t’i ndihmojë dyshes demokrate të marrin vendime të informuara për politikën e jashtme, sidomos në çështjet që lidhen me Kinën.

“Mendoj se shumë njerëz që janë të shqetësuar për politikën e jashtme amerikane në këtë pjesë të botës, janë të lehtësuar me përzgjedhjen e tij si kandidat demokrat për nënpresident, për faktin se në këtë kombinim është dikush që është i informuar, që ka jetuar në rajon dhe që nuk e fillon nga e para përsa i përket politikës së jashtme amerikane në Azinë Lindore,” deklaroi profesori i shkencave politike Lev Nachman nga Universiteti Kombëtar i Tajvanit.

Ai tha se përmes përshtypjeve njerëzore që zoti Walz ka ndarë me publikun për kinezët, tibetianët dhe banorët e Hong Kongut, guvernatori i Minesotës mund t’i japë më shumë nuanca debatit për Kinën në Shtetet e Bashkuara.

“Ai mund të artikulojë nevojën për të kritikuar autoritarizmin e Kinës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në pjesë të ndryshme të botës në një mënyrë që nuk i përçmon kinezët, si dhe duke mos mbështetur retorikën e frikës që mbizotëron aktualisht në Shtetet e Bashkuara kur flitet për marrëdhëniet mes dy vendeve ,” deklaroi zoti Nachman për Zërin e Amerikës.

Harris dhe Walz bëjnë fushatë së bashku, zotohen se do të “luftojnë për të ardhmen”

Kamala Harris me të shoqin Doug Emhoff, dhe Tim Walz me të shoqen Gwen Walz, në Filadelfia.

 

E nominuara demokrate për presidente, Kamala Harris, dhe kandidati i saj për nënpresident, guvernatori i Minesotas, Tim Walz, bënë fushatë për herë të parë së bashku më 6 gusht në Filadelfia.

Në fjalimin e tij para një turme prej më shumë se 10.000 personash në Universitetin Temple, Walz tregoi për fëmijërinë e tij në një qytezë të vogël në Nebraska, për shërbimin e tij 24-vjeçar në Gardën Kombëtare Ushtarake dhe për karrierën e tij si arsimtar në një shkollë të mesme dhe trajner futbolli.

“Nxënësit e mi më inkurajuan që të garoja për një post publik”, tha ai. “Ata panë në mua atë që unë shpresoja të rrënjosja te ta: angazhimin për të mirën e përbashkët dhe besimin se një person mund të bëjë dallimin”.

Gjatë fjalimit, ai po ashtu kritikoi të nominuarin republikan për president, Donald Trump, dhe kandidatin e tij për nënpresident, senatorin JD Vance.

“Ai tallet me ligjet tona, ai mbjell kaos dhe ndarje”, tha Walz për Trumpin.

“Ai u ngri gjatë krizës me COVID-in, e përplasi për toke ekonominë tonë dhe numri i krimeve të dhunshme ishte i lartë gjatë [mandatit presidencial] Donald Trumpit. Le të mos i numërojmë krimet që ai ka kryer”, shtoi Walz.

Harris hyri në garë për Shtëpinë e Bardhë pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për rizgjedhje para pak më shumë se dy javësh.

Walz kritikoi politikat e republikanëve për kufizimin e të drejtave riprodhuese të grave, një temë që po përcjell republikanët që kur Gjykata Supreme amerikane më 2022 i dha fund të drejtës kushtetuese për abort.

“Edhe nëse ne nuk bëjmë një zgjidhje të tillë për vete, është një rregull i artë: shikoni punën tuaj”, tha ai, teksa kjo deklaratë u prit me ovacione nga të pranishmit.

Harris, që foli para Walzit, e prezantoi atë, duke ai listuar të gjithë titujt – bashkëshort, baba, mësues, trajner, veteran, kongresist dhe guvernator – dhe në fund tha se pas zgjedhjeve të 5 nëntorit ai do të bëhet nënpresidenti i ri i SHBA-së.

“Ai është një njeri që i bën të tjerët të ndihen mirë dhe i inspiron ata që të kenë ëndrra të mëdha”, tha ajo.

Harris tha se Walz është “një lider që mund të ndihmojë në bashkimin e shtetit tonë dhe që të lëvizim përpara si dhe është një luftëtar për shtresën e mesme”.

“Fushata jonë nuk është vetëm një luftë kundër Donald Trumpit. Fushata jonë, kjo fushatë, është luftë për të ardhmen”, tha ajo.

Harris njoftoi për zgjedhjen e Walzit si kandidat për nënpresident më 5 gusht.

Walz, 60-vjeçar, më 2006 u zgjodh nga një zonë me prirje republikane për t’u bërë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, dhe shërbeu aty për 12 vjet, para se të fitonte pozitën e guvernatorit të Minesotas, më 2018.

Walz ka çuar përpara një agjendë progresive që përfshin shujta falas në shkolla, synimet për luftim të ndryshimeve klimatike, ulje taksash për klasën e mesme dhe rritje të numrit të ditëve të pushimit për punëtorët e Minesotas.

Trump dhe Vance e kanë kritikuar Walzin, menjëherë pasi Harris njoftoi se e kishte zgjedhur atë për të garuar për postin e nënpresidentit.

Sipas Trump dhe Vance, ai është shumë liberal.

“Kjo është dyshja më radikale e së majtës në historinë amerikane”, shkroi Trump në platformën e tij sociale.

Vance ndërkaq e kritikoi Walzin për mënyrën se si ai menaxhoi protestat pasi George Floyd, një person me ngjyrë, u vra në Mineapolis nga një zyrtar policor më 2020, duke thënë se ai nuk ishte i vendosur mjaftueshëm për t’u përballur me protestuesit.

Amerikanët gjatë zgjedhjeve zakonisht fokusohen në kandidatin për president, por kandidati për nënpresident mund të ndihmojë apo mund të dëmtojë kandidatin për president në bazë të të kaluarës së tyre, popullaritetit që kanë në shtetin e tyre dhe aftësisë për të fituar vota në shtete të rëndësishme apo për të marrë votat e votuesve të pavarur.

Pas tubimit zgjedhor në Filadelfia, Harris dhe Walz planifikojnë të vizitojë edhe shtetet e tjera kyçe, përfshirë Viskonsinin, Arizonën dhe Nevadën. Vance po ashtu bë bën një turne të ngjashëm, me ndalesa që përfshijnë Miçiganin dhe Viskonsinin. REL

Profili i kandidatit demokrat për nënpresident Tim Walz

VOA

MINIAPOLIS – Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris zgjodhi Guvernatorin e Minesotës, Tim Walz si kandidatin e saj për nënpresident. Demokrati 60 vjeçar dhe veteran i ushtrisë arriti të ngjitej në krye të listës të kandidatëve të mundshëm falë disa paraqitjeve televizive ku ra në sy stili i tij i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë i komunikimit, disa ditë pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të ri. Ai e ktheu shtetin e tij në një bastion të politikave liberale. Zoti Walz u zgjodh guvernator në vitin 2018 dhe shumica demokrate në kuvendin e shtetit të tij, i mundësoi atij dhe përfaqësuesve demokratë të shfuqizojnë kufizimet për abortin, të mbrojnë kujdesin për ndryshim gjinie tek të miturit dhe të legalizojë përdorimin e marihuanës. Ai ka shërbyer për 24 vjet në Gardën Kombëtare.

Ja disa fakte nga jeta dhe karriera e zotit Walz.

Tim Walz vjen nga zonat rurale e Amerikës

Është vështirë të gjesh një përfaqësues më të mirëfilltë të zonave rurale të Shteteve të Bashkuara. I lindur në qytetin West Point, në shtetin e Nebraskës, një qytet me rreth 3,500 banorë në veriperëndim të Omahës, zoti Walz ka shërbyer në Gardën Kombëtare dhe ka punuar si mësues në Nebraska.

Ai dhe bashkëshortja e tij u zhvendosën në Mankato, në pjesën jugore të Minesotës, në vitet ‘90. Atje ai u bë mësues i shkencave shoqërore dhe trajner i futbollit në shkollën e mesme Mankato West. Njëri nga ekipet e trajnuara nga ai fitoi vendin e parë në kampionatin e shkollave në nivel shteti në vitin 1999. Ai ende krenohet me të kaluarën e tij si sindikalist atje.

Zoti Walz shërbeu për 24 vjet në Gardën Kombëtare duke marrë një nga gradat më të larta ushtarake atë të majorit, para se të dilte nga ushtria në vitin 2005.

Aftësia e tij për të bërë për vete votuesit konservatorë

Në garën e tij të parë për t’u zgjedhur në Kongres në vitin 2006, zoti Walz fitoi ndaj ligjvënësit republikan Gil Gutknecht, i cili kishte shërbyer për gjashtë mandate. Ai fitoi votat në një distrikt kryesisht rural, në pjesën jugore të Minesotës ku votuesit ishin të pakënaqur me presidentin e atëhershëm republikan George W. Bush dhe luftën në Irak.

Gjatë gjashtë mandateve në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Walz u bë kampion i çështjeve të veteranëve.

Ai gjithashtu ka treguar thjeshtësinë e tij, mes të tjerash përmes postimeve në rrjetet sociale me vajzën e tij, Hope.

Pesha e kandidatit Walz në shtetet e pjesës rurale të Amerikës

Ndonëse zoti Walz nuk është nga një prej shteteve që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve si Uiskonsini, Miçigani dhe Pensilvania, ai vjen nga një shtet fqinj me to. Ai po ashtu mund të vazhdojë të sigurojë dominimin e demokratëve në Minesotë.

Ky është një aspekt i rëndësishëm pasi ish Presidenti Donald Trump e ka portretizuar Minesotën si shtet për të cilin do të zhvillohet betejë e ashpër këtë vit, ndonëse votuesit e tij nuk kanë zgjedhur një republikan në poste në shkallë kombëtare që nga viti 2006. Asnjë kandidat republikan nuk ka arritur të fitojë shumicën e votave në Minesotë që nga fitorja e bindshme e Presidentit Richard Nixon në vitin 1972, por zoti Trump tashmë ka bërë fushatë në këtë shtet.

Kur Guvernatori demokrat Mark Dayton vendosi të mos kandidonte për një mandat të tretë në vitin 2018, zoti Walz kandidoi dhe fitoi këtë post nën parullën “Një Minesotë”.

Zoti Walz po ashtu flet me elokuencë për çështjet që janë me rëndësi për votuesit e shteteve që dikur ishin zona industriale të zhvilluara. Ai ngre zërin për kauzat demokrate, përfshirë për sindikatat, të drejtat e punëtorëve dhe pagën minimale prej 15 dollarësh për orë pune.

Përvoja me një qeverisje të ndarë mes demokratëve dhe republikanëve

Në mandatin e tij të parë si guvernator, zoti Walz u përball me realitetin politik të një Dhome Përfaqësuesish të udhëhequr nga demokratët dhe Senatit të udhëhequr nga republikanët në nivel shteti, që u rezistoi propozimeve të tij për të përdorur taksat më të larta për të shtuar buxhetin për shkollat, kujdesin shëndetësor dhe rrugët. Por ai dhe ligjëvënësit e tjerë ndërmjetësuan arritjen e kompromiseve, duke siguruar zgjidhje dypartiake dhe lënien mënjanë të ndasive.

Bashkëpunimi ndërpartiak u bë më i vështirë gjatë vitit të dytë të mandatit të tij ndërkohë që ai përdori kompetencat e tij gjatë pandemisë së COVID-19 për të mbyllur bizneset dhe shkollat. Republikanët u rezistuan këtyre vendimeve gjë që i detyroi disa drejtues agjencish të largohen. Republikanët po ashtu kritikuan zotin Walz për atë që ata vlerësuan se ishte një përgjigje e vonuar ndaj trazirave ndonjëherë të dhunshme që pasuan vrasjen e George Floyd-it nga një polic i Mineapolisit në vitin 2020.

Pozitat e zotit Walz u lehtësuan gjatë mandatit të tij të dytë, pasi mundi kandidatin republikan Scott Jensen, një mjek i njohur për rezervat e tij ndaj vaksinimit. Demokratët fituan kontrollin në dy dhomat e legjislaturës, duke i dhënë mundësinë qeverisjes që të miratonte politika liberale, të mundësuara nga një suficit të konsiderueshëm buxhetor.

Zoti Walz dhe ligjvënësit hoqën pothuaj se të gjitha kufizimet e abortit në Minesotë që ishin vendosur nga republikanët në të kaluarën, mbrojtën trajtimin për përcaktimin gjinor të të miturve transgjinorë dhe legalizuan përdorimin e marihuanës.

Ata refuzuan thirrjet e republikanëve për të shfrytëzuar suficitin për të ulur taksat dhe me to financuan ushqim falas për fëmijët në shkolla, arsim falas në universitetet publike për studentët e familjeve që kishin më pak se 80 mijë dollarë në vit, program për leje familjare dhe shëndetësore me pagesë dhe sigurime shëndetësore për të gjithë pavarësisht statusit të banorëve.

Një gjuhë e thjeshtë dhe e qartë

Zoti Walz i quajti të emëruarin republikan Donald Trump dhe kandidatin e tij për nënpresident JD Vance “shumë të çuditshëm” në një intervistë në televizionin amerikan MSNBC muajin e kaluar. Shoqata e Guvernatorëve Demokratë – të cilën e drejton zoti Walz – e shpërndau shprehjen e tij në një postim në platformën X. Në një intervistë në CNN së fundmi, Guvernatori Walz e përsëriti këtë karakterizim ndërkohë që përmendi faktin që zoti Trump i referohej shpesh në fjalimet e tij personazhit Hannibal Lecter , vrasësit serial të filmit “Heshtja e Qengjave”, interpretuar nga Anthony Hopkins.

Kjo frazë u shndërrua shpejt në një slogan të paraqitjeve të zonjës Harris dhe demokratëve të tjerë dhe ka gjasa të bëhet fjala që do të mbahet mend nga këto zgjedhje padyshim të pazakonta të vitit 2024.

Kamala Harris zgjedh Guvernatorin e Minesotës, Tim Walz si kandidatin e saj për nënpresident

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris zgjodhi të martën guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, si kandidat për nënpresident nga pjesa qendrore e Amerikës, në një përpjekje të dukshme për të zgjeruar bazën e votuesve duke tërhequr votuesit ruralë, të bardhë, njoftojnë mediat amerikane duke iu referuar burimeve me dijeni për këtë çështje.

60 vjeçari Walz, një veteran i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane dhe ish-mësues, u bë anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2006, duke fituar në një distrikt me prirje republikane dhe shërbeu për 12 vjet përpara se të zgjidhej Guvernator i Minesotës në vitin 2018.

Si guvernator, zoti Walz ka ndjekur një axhendë progresive, që mes të tjerave përfshin masa për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike, uljen e taksave për klasën e mesme dhe zgjerimin e lejes së paguar për punonjësit e Minesotës.

Ai ka mbrojtur prej kohësh të drejtat riprodhuese të grave, por gjithashtu ka shfaqur edhe prirje konservatore, duke mbrojtur interesat e fermerëve dhe të drejtën për armëmbajtjee.

Ishte vendimi i parë madhor i zonjës Harris si kandidate presidenciale e Partisë Demokrate dhe një hap tjetër në fushatën e saj për të fituar Shtëpinë e Bardhë në nëntor.

Njoftimi erdhi një ditë pasi zonja Harris siguroi zyrtarisht emërimin si kandidate e partisë së saj për presidente, pas një raundi pesë-ditor votimi në internet nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Demokratik që përfundoi të hënën në mbrëmje.

Në një deklaratë pak para mesnatës, Komiteti Kombëtar Demokrat tha se 99% e delegatëve kishin votuar në favor të zonjës Harris. Votimi do të certifikohet zyrtarisht në Kuvendin e partisë në Çikago.

Zonja Harris, gruaja e parë dhe politikania e parë me prejardhje afrikano-amerikane dhe indiane që shërben si nënpresidente, bëhet kështu gruaja e parë jo e bardhë si kandidate zyrtare e njërës prej partive kryesore.

Lista e kandidatëve për nënpresident ishte ngushtuar mes Guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, i thanë agjencisë Reuters disa burime të hënën.

Nënpresidentja Harris pritet të shfaqet me zotin Waltz në një tubim fushate në Filadelfia të martën në mbrëmje. Vendimi i saj është tregues i mënyrës së saj të të menduarit për strategjinë më të mirë për të fituar në zgjedhjet e nëntorit.

Zoti Walz, 60 vjeç, shërben si guvernator në një shtet që voton vazhdimisht për demokratët, por ka treguar se është i pëlqyer mes votuesve të bardhë, ruralë, të cilët vitet e fundit kanë votuar gjerësisht për zotin Trump.

Amerikanët zakonisht përqendrohen tek kandidati për president kur zgjedhin se për kë të votojnë, por kandidatët për nënpresident mund të ndihmojnë ose dëmtojnë kandidatët e tyre bazuar në prejardhjen, popullaritetin në shtetin e tyre dhe aftësinë për të ndikuar në zona të rëndësishme elektorale ose tek votuesit e pavarur.

Senatori JD Vance, kandidati për nënpresident i përzgjedhur nga ish-Presidenti Donald Trump, nga shteti i Ohajos, ka shkaktuar reagime me komentet e tij për gratë që nuk kanë fëmijë, mes shqetësimeve se ato do të ndikojnë tek vota e grave. Në tubime fushate këtë javë, ai pritet ta kritikojë zonjën Harris lidhur me ekonominë dhe imigracionin.

Sondazhet e reja- Harris shënon një epërsi rekord ndaj Trumpit. Ç’po ndodh me Presidencialet në SHBA

Zëvendëspresidentja Kamala Harris fitoi epërsinë e demokratëve ndaj ish-presidentit Donald Trump në gati një vit, sipas një sondazhi nga Morning Consult.

Sipas rezultatit të sondazhit, Harris kryeson ndaj Trump me 48 për qind në 44 për qind në mesin e votuesve të regjistruar në të gjithë vendin.

Morning Consult tha se sondazhi u krye midis 2 dhe 4 gushtit dhe bazohet në përgjigjet e 11,265 votuesve.

Morning Consult tha se epërsia prej 4 pikësh e Harris është një “diferencë rekord e lartë në favor të saj” dhe është “përparësia më e madhe për një kandidat presidencial demokrat ndaj Trump në gati një vit”.

Më 16 gusht 2023, Presidenti Joe Biden u zbulua se ishte përpara Trump me 5 pikë midis votuesve kombëtarë të anketuar nga Morning Consult. Një ditë para se Biden të largohej nga gara e 2024-ës, anketuesi zbuloi se ai ishte 6 pikë prapa ish-presidentit (47 për qind me 41 për qind).

Harris, kandidate e supozuar e demokratëve kryeson gjithashtu ndaj Trump me 5 pikë në mesin e votuesve të pavarur (42 për qind ndaj 37 për qind) në sondazhin e së hënës dhe e mposhti ish-presidentin me 9 pikë midis votuesve të rinj midis moshës 18 dhe 34 (49 për qind me 40 për qind). Anketa ka një marzh gabimi prej 1 pikë përqindjeje.

Gjithashtu Harris kishte një vlerësim më të lartë të favorizimit se Trump, me 48 për qind të votuesve që thanë se kishin një pikëpamje të favorshme për Harris, krahasuar me 47 për qind që kishin një pikëpamje të pafavorshme.

Vlerësimi i favorizimit të Trump ishte negativ – 46 për qind e votuesve thanë se kishin një pikëpamje të favorshme për ish-presidentin, ndërsa 52 për qind që e shohin atë në mënyrë të pafavorshme.

Sondazhi i përgjithshëm nga The New York Times ka bërë që Trump ende të mposhtë Harris me 1 pikë përqindje (48 përqind në 47 përqind), megjithëse hendeku midis dy kandidatëve është ngushtuar ditët e fundit. Kur kandidati i pavarur presidencial Robert F. Kennedy Jr përfshihet në sondazh, Times zbuloi se Harris dhe Trump janë të barabartë me 44 për qind.

RealClearPolitics gjithashtu ka Trump që mund Harrisin me 0.8 pikë përqindjeje mesatarisht në sondazhet kombëtare. Në ditën që Biden u tërhoq nga gara presidenciale, Trump po e mundte presidentin me pak më shumë se 3 pikë përqindjeje, sipas mesatares së sondazhit të RealClearPolitics.

Harris ka bërë gjithashtu kryeson në disa shtete kryesore të fushëbetejës. Mesatarja e sondazheve nga Buletini i Argjendtë i vitit 2024 zbuloi se nënpresidentja ishte përpara në Pensilvani, Wisconsin dhe Michigan që nga e premtja. Mesatarja e sondazheve nga Times zbuloi se Harris dhe Trump ishin të barabartë në Wisconsin dhe Michigan, megjithëse nënpresidentja ishte prapa me 2 pikë përqindjeje në Pensilvani që nga e hëna.bw

SHBA, gjykatësi vendos se Google ka shkelur ligjin me monopolin mbi kërkimet në internet

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Një gjykatës arriti të hënën në përfundimin se kompania Google shkeli ligjin kur mbajti monopolin mbi kërkimet në internet, duke shtypur konkurrencën dhe tkurrur inovacionin.

Vendimi ka gjasa të ketë pasoja të jashtëzakonshme për internetin dhe të paralizojë një nga kompanitë më të njohura në botë. Gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Amit Mehta e mori atë një vit pasi Departamenti i Drejtësisë paditi kompaninë Google në përballjen më të madhe antitrust në Shtetet e Bashkuara që prej një çerek shekulli.

“Pasi shqyrtoi dhe peshoi me kujdes dëshminë dhe provat, gjykata arrin në përfundimin e mëposhtëm: Google është një (kompani) monopoliste dhe ka vepruar si e tillë për të ruajtur monopolin e vet”, shkruan gjykatësi Mehta në vendimin e tij prej 277 faqesh.

Ai tha se dominimi i Google në tregun e kërkimit në internet, është dëshmi e monopolit të saj.

Google “kontrollon 89.2% të tregut për shërbimet e kërkimit të përgjithshëm, një shifër që shkon në 94.9% në pajisjet celulare”, thuhet në vendimin që përbën një humbje madhore për Google dhe kompaninë ombrellë të tij, Alphabet Inc., e cila kishte argumentuar me forcë se popullariteti i motorit të saj të kërkimit buronte nga kërkesa e madhe e konsumatorëve për ta përdorur atë, falë cilësisë së lartë, që “e ka kthyer në sinonim të kërkimit në internet”.

Motori i kërkimit i Google aktualisht përpunon rreth 8.5 miliardë pyetje në ditë në mbarë botën, pothuajse dyfishi i vëllimit të tij ditor krahasuar me 12 vjet më parë, sipas një studimi të fundit të publikuar nga firma e investimeve BOND.

Kent Walker, presidenti i Google për çështjet globale, tha se kompania synon ta apelojë vendimin e gjykatësit e Mehta:

“Ky vendim e konfirmon se Google ofron motorin më të mirë të kërkimit, por arrin në përfundimin se ne nuk duhet të lejohemi ta bëjmë atë lehtësisht të disponueshme”.

Tani për tani, vendimi u jep të drejtë rregullatorëve antitrust në Departamentin e Drejtësisë, i cili ngriti padinë gati katër vjet më parë, ndërsa Donald Trump ishte ende president, dhe ka përshkallëzuar përpjekjet për të frenuar kontrollin e firmave të mëdha të teknologjisë gjatë administratës së Presidentit Joe Biden.

“Kjo fitore kundër Google është një fitore historike për popullin amerikan”, tha Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland. “Asnjë kompani – pavarësisht sa e madhe apo me ndikim – nuk është mbi ligjin. Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të zbatojë me forcë ligjet antitrust.”

Demokratja Kamala Harris takohet me tre kandidatët e mundshëm për nënpresident

VOA/Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris takohet të dielën në rezidencën e saj me secilin nga tre kandidatët kryesorë për nënpresident: guvernatorin e Minesotas, Tim Walz, senatorin Mark Kelly nga Arizona, si dhe guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, në procesin për të përzgjedhur njërin prej tyre.

Zonja Harris pritet ta njoftojë ndoshta që të hënën vendimin e saj, përpara se të bëjë paraqitjen e parë publike së bashku me kandidatin për nënpresident gjatë një aktiviteti elektoral që pritet të mbahet të martën në Filadelfia. Ekipi i saj elektoral po planifikon gjithashtu një njoftim nëpërmjet mediave sociale, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters zyrtarë në dijeni të çështjes.

Zonja Harris u takua të shtunën me grupin e punës që ka marrë në shqyrtim kandidaturat. Ndër anëtarët e grupit të punës është edhe ish-prokurori i përgjithshëm Eric Holder, firma ligjore e të cilit, “Covington & Burling LLP”, analizoi gjendjen financiare dhe historikun e kandidatëve. Zoti Holder dhe kolegët e tij paraqitën një përshkrim të detajuar të secilit prej kandidatëve, thanë persona në dijeni të procesit.

Zonja Harris bëri gjithashtu një takim 90-minutësh të premten me sekretarin e Transporteve, Pete Buttigieg. Kandidatët do të informohen ndoshta të hënën në mbrëmje, ose të martën në mëngjes nëse janë përzgjedhur.

Përzgjedhja e personit që do të kandidojë së bashku me të, është një ndër vendimet më të rëndësishme për karrierën politike të zonjës Harris, ndërsa po përpiqet të ngrejë me shpejtësi një fushatë elektorale për ta sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq nga kandidimi muajin e kaluar.

Kandidatët në listë janë të gjithë burra të bardhë, të cilët kanë tërhequr historikisht në zgjedhje votuesit në zonat rurale, të bardhët apo të pavarurit.

Vendimi që do të marrë zonja Harris do të ndikojë gjithashtu drejtimin e ardhshëm të Partisë Demokrate, duke fuqizuar edhe për zgjedhjet e tjera në të ardhmen, kandidatin që do të përzgjidhet tani.

Zoti Shapiro, një ndër kandidatët kryesorë, është përballur me kritika të ashpra nga e majta, në veçanti nga grupet progresiste dhe aktivistët pro-palestinezë, për mbështetjen që i jep Izraelit dhe për mënyrën se si menaxhoi protestat që u bënë në universitete për shkak të luftës në Gazë.

“Duhet korrigjuar politika për Gazën dhe duhet një axhendë politikash në favor të klasës punëtore, përfshirë një axhendë pro afrikano-amerikanëve”, tha Nina Turner, e cila ka qenë bashkëkryetare e fushatës elektorale të Bernie Sandersit në vitin 2020 dhe është gjithashtu studiuese në Institutin për Racën, Pushtetin dhe Ekonominë Politike, një organizatë kërkimore progresive. “Përzgjedhja e guvernatorit Shapiro do ta hiqte këtë mundësi”.

Ka patur gjithashtu pikëpyetje rreth mënyrës se si ai pati menaxhuar një ankesë për ngacmim seksual ndaj një ndihmësi të tij të hershëm. Gjithashtu, sindikata e Punëtorëve të Bashkuar të Automobilëve (UAW), e cila dha rishtazi mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, e ka kritikuar zotin Shapiro për thirrjet për të zgjeruar programet që mundësojnë kanalizimin e më shumë parave të taksapaguesve drejt shkollave private.

Disa organizma të tjera sindikale e kanë akuzuar zotin Kelly se ka kundërshtuar projektligje që ata thonë se do të fuqizonin sindikatat.

Shawn Fain, president i sindikatës UAW, tha se megjithë mbështetjen për kandidimin për presidente të zonjës Harris, sindikata e tij me 370 mijë anëtarë nuk mbështet kandidaturat e zotërinjve Kelly dhe Shapiro.

Zoti Walz është bërë ndër të preferuarit e progresistëve dhe grupeve të të rinjve, të cilëve u pëlqejnë kritikat që ai bën ndaj ish-Presidentit Trump.

Në moshën 60-vjeçare, zoti Walz është vetëm një vit më i moshuar se zonja Harris, por kritikët thonë se ai duket shumë më i moshuar, një disavantazh i mundshëm për fushatën elektorale, që po përpiqet të tejkalojë tërheqjen nga gara të Presidentit Biden për shkak të shqetësimeve për moshën e tij të madhe.

Zoti Walz iu përgjigj këtyre kritikave në rrjetin X, duke thënë se pamja e tij është e atillë për shkak se ka qenë mësues në shkollën e mesme dhe se ka “mbikqyrur mencën për 20 vite. Nuk largohesh nga ajo punë me flokë në kokë. Besomëni”, shkruajti ai.

Cilat janë përparësitë e politikës së jashtme të demokrates Kamala Harris?

VOA/Patsy Widakuswara

Ndërsa kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris pritet të përballet në zgjedhje me kandidatin republikan Donald Trump, qëndrimet e saj për politikën e jashtme po ndiqen me vëmendje, si kur bëhet fjalë për mbështetjen ushtarake për Izraelin dhe Ukrainën, përballjen me Kinën, apo krizën e emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, pritet që programi elektoral i zonjës Harris të ofrojë një vazhdimësi të politikave të administratës së Presidentit Biden, me disa ndryshime për sa i përket përparësisë së çështjeve.

Mijëra emigrantë nga Amerika Qendrore kalojnë çdo vit përmes Meksikës, drejt kufirit me Shtetet e Bashkuara. Koordinimi me vendet e këtij rajoni për të trajtuar shkaqet e emigracionit, ishte një ndër detyrat që i ishin caktuar Nënpresidentes Kamala Harris, duke e ekspozuar atë kështu ndaj kritikave nga rivali i saj në zgjedhje, ish-Presidenti Donald Trump.

“Ishte një dështim, një nënpresidente e dështuar dhe një administratë e dështuar, ndërsa miliona njerëz kalojnë kufirin. Asaj i ishte ngarkuar përgjegjësia për kufirin”, tha ish-Presidenti Trump.

Zonjës Harris nuk i është lënë drejtimi për çështjet e kufirit. Por për emigracionin, ajo jep një mesazh të fortë gjatë fushatës elektorale, duke vënë në dukje përvojën e saj si prokurore në Kaliforni.

“Unë jam përballur me bandat ndërkombëtare, kartelet e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore që vinin në vendin tonë në rrugë të paligjshme. Kam ngritur çështje hetimore ndaj tyre dhe i kam fituar paditë. Donald Trump nga ana tjetër, flet shumë për sigurimin e kufirit, por nuk ka bërë asgjë”, tha zonja Harris.

Nëse fiton zgjedhjet, zonja Harris thotë se do të rikthejë projektligjin e propozuar nga Presidenti Joe Biden për kufirin, që u rrëzua nga ligjvënësit republikanë që mbështesin ish-Presidentin Trump.

Ajo thotë se do ta vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, duke shmangur njëkohësisht një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë, si dhe do të punojë për të ruajtur unitetin me vendet e NATO-s.

Ajo pritet gjithashtu të forcojë bashkëpunimin në rajonin Indo-Paqësor.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Filipineve përballë frikësimit dhe kërcënimeve në Detin e Kinës së Jugut”, tha zonja Harris.

Vazhdimësi pritet të ketë edhe në lidhje me Kinën.

“Do të vazhdojë, siç ka thënë, përpjekjet për ulje të rrezikshmërisë së Kinës. E dimë se kur kandidoi në vitin 2020, ishte kundër vendosjes së tarifave. Por ashtu siç veproi Presidenti Biden, edhe ajo duket se ka ndryshuar mendim. Pra gjasat janë për një vazhdimësi”, thotë Robert Daly, nga Qendra Wilson.

Për çështjen e Gazës, zonja Harris mbështet qëndrimin e Presidentit Biden, me synimin për arritjen e një armëpushimi dhe parandalimin e një lufte rajonale.

Sidoqoftë, për shkak të zemëratës në pjesë të mëdha të elektoratit demokrat për mbështetjen e vendosur të Presidentit Biden për Izraelin, zonja Harris ka shprehur ndjeshmëri shumë më të madhe për viktimat në radhët e palestinezëve.

“Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi ndjeshmëri ndaj vuajtjeve dhe unë nuk do të qëndroj e heshtur”, tha ajo.

Zonja Harris mbështet gjithashtu poilitikën e Presidentit Biden për një stil drejtues duke u mbështetur tek aleatët dhe partnerët.

Ajo është përqëndruar gjithashtu tek rreziqet jotradicionale ndaj sigurisë, ndërsa kryeson Këshillin Kombëtar për Hapësirën dhe nxit politikat e administratës për inteligjencën artificiale dhe klimën.

“Kur njerëzit thonë se ‘ajo pati emigracionin në portofolin e saj dhe ne kemi tashmë një problem të tmerrshëm me emigracionin’, ata nuk kanë parasysh këtu rolin e plotë që ajo ka luajtur në çdo rajon të botës”, thotë Linda Robinson, nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Megjithëse ka patur katër vite udhëtime në mbarë globin dhe takime me rreth 150 kryetarë shtetesh dhe qeverish, ish-Presidenti Trump thotë se ajo është pa përvojë dhe pa arritje.

“Ajo është një majtiste radikale që do ta shkatërrojë vendin tonë”, tha ish-Presidenti Trump.

Dhe cila është përgjigja e saj?

“Nëse keni diçka për të më thënë, ma thoni në sy”, tha zonja Harris.

“Xhaxhai im, i çmendur bërthamor”- Nipi i Trumpit zbulon arsyet pse do të votojë për Kamala Harrisin

Fred Trump III, djali i vëllait të ndjerë të Donald Trump, Fred Trump Jr, ka mbështetur nënpresidenten Kamala Harris për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Ai ka detajuar gjithashtu se pse do të votonte për politikanen indiano-amerikane. Ky pohim vjen ndërsa Fred Trump III promovon librin e tij të ri – “All in the Family: The Trumps and How We Got This Way”.

“Unë besoj në politikën mbi politikën dhe pa diskutim, politikat e Kamala Harris janë ato që kam pas”, tha Fred Trump në një intervistë në The View. “Kështu që unë do të votoj për Kamala Harris. Dhe nëse më kërkohet, unë do të bëj fushatë për të pa hezitim.”. Në një intervistë për CNN, Fred Trump shpjegoi arsyet e tij për mbështetjen ndaj Harris.

“Unë besoj fuqimisht se liritë tona janë në linjë dhe Kamala Harris është e vetmja që qëndron për të rikthyer liritë në demokraci,” tha Fred Trump III. Fred Trump III dhe motra e tij, Mary, kanë qenë kritikë të zëshëm të xhaxhait të tyre, ish-presidentit Donald Trump.

Në një intervistë për ABC News të martën, Fred e përshkroi qasjen e ish-presidentit si “komplekse dhe ndonjëherë mizore”. “Familjet janë të komplikuara. Çdo familje ka xhaxhanë e çmendur. Xhaxhai im Donald është i çmendur bërthamor. Dhe ai ka vënë shenjën e tij në historinë e familjes,” tha ai. Libri i ri i Fred Trump – “All in the Family: The Trumps and How We Got This Way” – përfshin histori të pa treguara kurrë për familjen Trump dhe marrëdhënien e tij komplekse me ish-presidentin.

Një zbulim nga libri detajon një bisedë që Fred Trump pretendonte se kishte pasur me xhaxhain e tij gjatë një vizite në Zyrën Ovale, ku Donald Trump thuhet se u shpreh se njerëzit me aftësi të kufizuara “thjesht duhet të vdesin”. Fred Trump III tregoi një incident të ngjashëm gjatë një telefonate në lidhje me fondin mjekësor për djalin e tij William, i cili ka një aftësi të kufizuar. Në përgjigje, drejtori i komunikimit i Trump, Steven Cheung mohoi pretendimet e Fred Trump, duke i quajtur ato “lajme plotësisht të fabrikuara dhe totalisht të rreme”.bw

Trumpi vë në pikëpyetje identitetin racor të rivales Harris

VOA/Skot Sterns

Kandidati republikan për president dhe rivalja e tij e mundshme demokrate po vazhdojnë fushtatat në garën për Shtëpinë e Bardhë. Ish-Presidenti Donald Trump hodhi dyshime mbi identitetin racor të Nënpresidentes Kamala Harris, ndërsa zonja Harris e sfidoi zotin Trump për të debatuar.

Me më pak se 100 ditë para zgjedhjeve, korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns i hedh një vështrim mbështetjes që gëzojnë dy kandidatët për momentin.

Kandidati republikan për president, Donald Trump u tha mbështetësve në shtetin fushëbetejë të Pensilvanisë se kundërshtarja e tij e mundshme demokrate është një mashtrim.

“Shefat e Partisë së majtë radikale Demokrate kanë vendosur një kandidate kukull që u shërben vetëm atyre. Kamala Harris mori zero vota. Ajo kontrollohet nga donatorët dhe ndërmjetësit e pushtetit që i mundësuan kandidaturën, ata që shkatërrojnë qeverinë tonë dhe që marrin miliarda e miliarda dollarë”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, zoti Trump pati një diskutim që ngjalli reagime me disa gazetare afrikano-amerikane. Ai hodhi dyshime mbi identitetin racor të zonjës Harris, nëna e së cilës është indiane ndërsa babai afrikano-amerikan.

“Ajo gjithmonë është prezantuar me origjinën dhe trashëgiminë indiane. Nuk e dija se ishte e afrikano-amerikane deri para disa vitesh, kur u kthye në një afrikano-amerikane. Tani do që të njihet ashtu. Pra, nuk e di nëse është indiane apo afrikano-amerikane”, tha zoti Trump.

Nënpresidentja Harris është vetë-identifikuar prej kohësh si afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane.

Që kur u bë kandidate e mundshme demokrate për presidente, mbështetja për të është baraz me atë për republikanin Trump në shtatë shtete kyçe, kryesisht për shkak të rritjes së përkrahjes së votuesve të rinj, afrikano-amerikanë dhe hispanikë, sipas rezultatit të sondazheve të agjencisë së lajmeve “Bloomberg” dhe kompanisë “Morning Consult”.

“Gara po merr një kthesë të re dhe ka shenja se Donald Trumpi po e ndjen atë. Ju mund ta keni vërejtur”, tha zonja Harris.

Ajo tha në një tubim të martën në Xhorxhia se zoti Trump duket se ka shumë për të thënë për të, por nuk dëshiron të diskutojë me të në debatin e planifikuar për shtator.

“Donald, shpresoj se do ta rimendosh debatin me mua, sepse siç thotë një shprehje ‘nëse ke diçka për të më thënë ma thuaj në sy’”, tha zonja Harris.

Ajo pritet ta shpallë kandidatin për nënpresident gjatë ditëve në vijim, në prag të Kuvendit të Partisë në Çikago ku do të synojë të bindë votuesit se ajo është zgjedhje më e mirë sesa zoti Trump.

Në Karolinën e Veriut, votuesja Wanda Cherry thotë se pas kalimit të kandidaturës nga Presidenti Biden tek Nënpresidentja Harris, entuziazmi është rritur.

“Më vjen mirë që presidenti e kuptoi se kemi nevojë për dikë më të ri për të udhëhequr vendin, dikë që ka zgjuarsinë dhe vullnetin për të garuar”, tha ajo.

Votuesi në Xhorxhia, T. Stanley nuk beson se zonja Harris është gati për postin e presidentes.

“Së pari, fakti se është kandidate më tmerron, sepse nuk është e përgatitur për të qenë presidente”, thotë ai.

Një votues tjetër në Xhorxhia thotë se zonja Harris ka rigjallëruar garën presidenciale.

“Do të votoj për të dhe jam i gëzuar për këtë. Në përgjithësi mendoj se ajo është pak liberale në shumë çështje, por për ta mbrojtur demokracinë tonë, patjeter se do ta votoj”, thotë Phil Ownbey.

Në Kaliforni, votuesja Marina George thotë se mbështetja për zotin Trump është mjaftueshëm e fortë për të mposhtur çdo kundërkandidat.

“Edhe me Kamala Harrisin, apo këdo që vendosin, ata nuk do të fitojnë. Kjo thjesht po e përshpejton dhe thellon humbjen e Partisë Demokrate. Gjithçka që ata po bëjnë po shkon në favor të republikanëve”, thotë ajo.

Në nivel kombëtar, sondazhi i agjencisë Bloomberg e nxjerr zonjën Harris baraz me zotin Trump, me më pak se 100 ditë para ditës së zgjedhjeve.

Është me ngjyrë apo indiane?- Kamal Harris iu përgjigjet komenteve të Trumpit për identitetin e saj: Populli amerikan meriton më mirë

Zëvendëspresidentja Kamala Harris i është përgjigur komenteve raciste të ish-presidentit Donald Trump ndaj saj. Harris tha se populli amerikan meriton më mirë dhe se meriton një lider që të kuptojë se dallimet tona nuk na ndajnë.

“Ishte e njëjta shfaqje e vjetër – përçarje dhe mosrespekte. Populli amerikan meriton një lider që thotë të vërtetën, një lider që nuk përgjigjet me armiqësi dhe zemërim kur përballet me faktet. Ne meritojmë një lider që të kuptojë se dallimet tona nuk na ndajnë. Ato janë një burim thelbësor i forcës sonë. ”, tha Harris.

Në intervistën e tij të mërkurën në Çikago, Trump vuri në dyshim identitetin racor me ngjyrë të Harris, ku ngriti pikëpyetje nëse ajo është indiane apo me ngjyrë.

“Ajo ishte gjithmonë me origjinë indiane dhe ajo vetëm po promovonte trashëgiminë indiane. Unë nuk e dija se ajo ishte me ngjyrë deri disa vite më parë, kur ajo u bë me ngjyrë dhe tani ajo dëshiron të njihet si me ngjyrë. Pra nuk e di, a është indiane apo me ngjyrë?”, tha ai në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve të me Ngjyrë në Çikago të mërkurën.

Harris, babai i të cilit është xhamajkan dhe nëna indiane, ndoqi Universitetin Howard. Ajo është zëvendëspresidentja e parë femër në historinë e SHBA-së dhe gjithashtu gruaja e parë me ngjyrë që mban këtë detyrë.

Vërejtjet e Trump erdhën ndërsa Harris po shijon vrullin e votimit në fushatën e saj ende të re për presidente pasi presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara më 21 korrik. Fushata e Trump është vendosur “të sulmojë” Harris dhe duket se deklaratat e fundit të ish-presidentit janë pjesë e kësaj strategjie. Komenti i tij ndaj Harris nuk është pritur mirë në rrjet ku komentuesit i kanë cilësuar fjalët e tij të turpshme. sn

Departamenti i Mbrojtjes: I akuzuari për organizimin e sulmeve të 11 shtatorit, do të pranojë fajësinë

VOA/AP dhe Reuters

Personi i akuzuar si organizatori i sulmeve të 11 shtatorit 2001 nga Al-Kaidës ka rënë dakord të pranojë fajësinë, tha të mërkurën Departamenti i Mbrojtjes.

Khalid Sheikh Mohammed dhe dy bashkëpunëtorë të tij pritet ta deklarojnë fajësinë para Komisionit Ushtarak në Gjirin e Guantanamos në Kubë javën e ardhshme.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë pothuajse me siguri përfshijnë pranimin e fajësisë në këmbim të shmangies së dënimit me vdekje.

Zyrtari tha se kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura publikisht, por tha se ekziston mundësia që ajo të parashikojë një dënim me burgim të përjetshëm.

Khalid Sheikh Mohammed është i burgosuri më i njohur në qendrën e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, që u krijua në vitin 2002 nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh W. Bush për të mbajtur të ndaluar të dyshuarit si militantë të huaj pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

Numri më i lartë i të ndaluarve në atë kompleks ka qenë 800. Sot në Guantanamo janë 30 të burgosur.

Marrëveshja mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe të akuzuarve për pranimin e fajësisë për 11 shtatorin vjen më shumë se 16 vjet pasi filloi procesi penal ndaj tyre lidhur me sulmet e Al-Kaidës dhe më shumë se 20 vjet pas sulmeve që shkaktuan vdekjen e afro 3,000 personave dhe pas së cilave SHBA filloi një luftën në Afganistan që vazhdoi për dy dekada.

Familjet e shumë prej viktimave kanë thënë se donin që të akuzuarit për organizimin e sulmit të pranonin zyrtarisht fajin.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell dënoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

“E vetmja gjë më e keqe se të negociosh me terroristët është të negociosh me ta pasi ata janë në paraburgim”, tha Senatori McConnell në një deklaratë.

“Hey, Donald më prit në skenën e debatit”- Harris sfidon Trumpin, i kërkon përballje televizive “kokë më kokë”: Ma thuaj në sy, nëse ke diçka për të thënë!

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë në Atlanta se 98 ditët e ardhshme do të jenë një “luftë”. Sipas saj, në fund demokratët do t’i fitojnë zgjedhjet presidenciale, duke e “ngacmuar” rivalin Donald Trump, i cili një ditë më parë ka shprehur mëdyshje kur është pyetur për një debat sy më sy në javët e ardhshme, shkruan agjencia e lajmeve, AP.

“Momentumi në këtë garë po ndryshon”, ka thënë kandidatja e mundshme e demokratëve. “Dhe ka shenja se këtë po e ndjen edhe Donald Trump”.

Pak më shumë se një javë më parë, Georgia dukej se po u rrëshqiste demokratëve nga duart: Fushata e Joe Bidenit ishte zotuar të përqendrohej më shumë në ruajtjen e mbështetjes në shtetet e “murit të kaltër” të demokratëve dhe sinjalizoi se mund të shmangte angazhimin e madh në fushëbetejat e “Sun Beltit”.

Por tani që Biden është tërhequr nga kandidimi dhe Harris shihet si kandidatja pothuajse e zyrtarizuar, demokratët po rrisin shpresat e një zgjerimi të mundshëm të mbështetjes elektorale.

Në shtetin që i dha Joe Biden fitoren më të ngushtë më 2020, Harrisi ka mbajtur një tubim të madh për ta sinjalizuar Donald Trump: Një aktivitet i madh, plot me mbështetës që brohorisnin emrin e saj, derisa ajo po ngacmonte rivalin republikan dhe bashkëgaruesin e tij JD Vance, duke e quajtur “të çuditshme” politikën e tyre dhe vlerësuar si të prapambetura premtimet e tyre.

Harris e shfrytëzoi rastin duke thënë: “Pra, ai nuk do që të debatojë me mua dhe bashkëgaruesi i tij ka shumë për të thënë për mua”. “Dhe, meqë ra fjala, nuk ju duken shumë gjëra të tyre si shumë të çuditshme”.

“Hey, Donald”, theksoi Harris, duke iu referuar rivalit me emër. “Shpresoj se do ta rikonsideroni. Më prit në skenën e debatit… sepse siç thotë ajo shprehja, nëse ke diçka për të më thënë, ma thuaj në fytyrë”.

Trumpi ka sugjeruar se debati televiziv i 10 shtatorit në ABC News duhet të zhvillohet në një kanal tjetër televiziv, duke e quajtur ABC-në si “fake news”.

Javën e kaluar, në një bisedë telefonike me gazetarë, Trump u pyet nëse do t’i qëndronte besnik deklarimit të mëhershëm që së paku njëherë të debatojë me Harris. Trumpi tha: “Oh, po, absolutisht. Do të doja”, dhe tha se debati ishte obligim.

Në intervistën e së hënës mbrëma për “Fox News Channel”, moderatorja Laura Ingraham insistoi nëse Trump do ta mbante fjalën e dhënë.

“Dua të bëj një debat. Por edhe mund ta them këtë. Të gjithë e dinë kush jam unë. Dhe tani njerëzit e dinë kush është ajo”, deklaroi Trump.

Trump pastaj tha: “Përgjigja është po, mbase në fund do të debatojmë”.

Dhe nuk kaloi shumë kohë dhe tha se çfarëdo debati që është i nevojshëm duhet të kryhet para nisjes së votimit nëpër shtete, dhe pastaj shtoi: “Përgjigja është po, por unë gjithashtu mund ta bëj punën që të mos e bëjmë”.

Trump më parë iu ishte shmangur debateve, përfshirë debatet e zgjedhjeve partiake nga ku del kandidati republikan për president. Fillimisht nuk kishte marrë pjesë pasi kishte konsideruar se ishin të hershme dhe pastaj e bëri të qartë se nuk do të merrte pjesë fare në to./AP

(BalkanWeb)

Trump vs Harris, të dhënat e sondazheve të fundit- Ç’po ndodh me garën presidenciale në SHBA

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka parë një rritje të konsiderueshme në vlerësimet e saj të pëlqimit që kur ajo u bë kandidatja e supozuar e Partisë Demokratike 2024, ndërsa ajo e Donald Trump ka rënë, sipas një sondazhi.

Një sondazh i ABC News/Ipsos me 1200 të rritur të publikuar të dielën tregoi se vlerësimi i favorizimit të Harris qëndron në 43 për qind, 8 pikë më shumë nga 35 për qind që ishte vlerësimi i favorizimit për të përpara se Joe Biden të deklaronte tërheqjen nga gara.

Numri i njerëzve që kanë një pikëpamje të pafavorshme për zëvendëspresidenten gjithashtu ka rënë nga 46 për qind e regjistruar në sondazhin e mëparshëm të publikuar javën e kaluar, në 42 për qind në sondazhin e së dielës.

Për krahasim, vlerësimi i favorizimit të Trump ka rënë me 4 pikë midis dy sondazheve nga 40 për qind në 36. Sondazhi i mëparshëm u krye në javën pasi Trump u konfirmua si kandidati i GOP për vitin 2024 në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee dhe pas tentativës për vrasje kundër ish presidenti në Pensilvani.

Sondazhi është treguesi i fundit i entuziazmit pas përfshirjes së Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë, pasi Biden i dha fund fushatës së tij për rizgjedhje pas javësh presioni ndaj tij, pas performancës së tij të dobët të debatit e CNN më 27 qershor.

Biden, 81 vjeç, ishte përballur tashmë me shqetësimet se ai ishte shumë i vjetër për të kandiduar për një mandat të dytë, me sondazhe të shumta që sugjeronin se votuesit nuk ishin të entuziazmuar që zgjedhjet e vitit 2024 do të ishin një revansh mes presidentit dhe 78-vjeçarit Trump.

Pasi Biden u tërhoq nga gara dhe miratoi Harris, figura të shumta aktuale dhe ish-demokrate kanë mbështetur gjithashtu zëvendëspresidenten kundër Trump.

Harris ka parë gjithashtu një rritje të mbledhjes së fondeve, me fushatën e saj që raporton se ka mbledhur më shumë se 200 milionë dollarë në javën e parë, rreth dy të tretat e të cilave erdhën nga donatorët për herë të parë.

Diku tjetër, sondazhi i ABC News/Ipsos tregon se gati nëntë në 10 demokratë (88 përqind) po shprehin entuziazëm për fushatën e Harris, si dhe 70 përqind e votuesve me ngjyrë.

Harris ka parë gjithashtu një rritje të madhe në numrin e votuesve të pavarur që kanë një pikëpamje të favorshme për të, nga 28 përqind javën e kaluar në 42 përqind në sondazhin e fundit.

Sondazhi tregoi se vlerësimi i favorizimit të Trump midis demografisë së pavarur potencialisht kyç ra nga 35 për qind javën e kaluar në 27 për qind në sondazhin e së dielës.

Kur u kontaktua për koment, drejtori i komunikimit i Trump, Steven Cheung iu referua një sondazhi të fundit të Telegraph /Redfield & Wilton Strategies, i cili tregoi se Trump mundi Harris-in në disa shtete.

Zyra e Harris është kontaktuar për koment përmes emailit.

Pasi Biden përfundoi fushatën e tij për rizgjedhje më 21 korrik, Trump u bë kandidati më i vjetër presidencial në historinë e SHBA. Nëse Trump fiton zgjedhjet e nëntorit, ai mund të kalojë Bidenin si presidenti më i vjetër i SHBA-së në mandatin e tij të dytë.

Sondazhi i mëparshëm i ABC News/Ipsos tregoi se 15 përqind e amerikanëve kishin pikëpamje të pafavorshme për Trump dhe Biden.

Tani gara ka të ngjarë të jetë midis Harris dhe Trump, vetëm shtatë përqind e amerikanëve thonë se nuk i pëlqejnë të dy kandidatët.

Sondazhi i ABC News/Ipsos anketoi 1200 votues midis 26 dhe 27 korrikut. Rezultatet kanë një marzh gabimi plus ose minus 3 pikë përqindjeje. bw

Harris kundër Trump: 100 ditë nga zgjedhjet, gara presidenciale ka ndryshuar në mënyrë dramatike

E diela shënon 100 ditë deri në datën e zgjedhjeve Presidenciale në SHBA.

Gjithashtu kjo e dielë shënon edhe 1 javë nga njoftimi i Presidentit Joe Biden që ndryshoi peizazhin politik, pasi u tërhoq nga gara për një rizgjedhje si President.

Biden e bëri lëvizjen e tij mes presionit në rritje nga brenda Partisë Demokratike që ai të largohej pas një performance katastrofike në debatin e parë presidencial të muajit të kaluar me Trump.

Mbështetja e menjëhershme e Presidentit ndaj ZvPresidentes Kamala Harris të dielën e kaluar ndezi një rritje të përkrahjes për të nga guvernatorët demokratë, senatorët, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe liderët e tjerë të partisë. Brenda 36 orëve, Harris njoftoi se kishte marrë nominimin e partisë së saj duke arritur mbështetjen verbale të shumicës prej gati 4000 delegatëve në Konventën Kombëtare Demokratike të muajit të ardhshëm.

Ish-presidenti Obama dhe ish-zonja e parë Michelle Obama të premten u bënë liderët e fundit të partisë kryesore që miratuan zëvendëspresidenten.

Harris gjithashtu tërhoqi një mbledhje fondesh marramendëse prej 129 milionë dollarësh pas njoftimit të Biden, të cilin fushata e saj e promovoi të enjten në mëngjes.

“Është koha për të dyja palët,” tha për Fox News këshilltari republikan David Kochel.

Përveç bashkimit dhe emocionimit të demokratëve, zëvendësimi i Biden nga nënpresidentja Harris, pritet të bëhet zyrtar gjatë një thirrjeje virtuale të delegatëve të kongresit që fillon më 1 gusht.

Ajo që dikur ishte një garë me diferenca midis Biden dhe Trump, ku kandidati republikan ishte në një avantazh të qartë ndaj Presidentit, në javët pas përballjes së tyre të debatit të 27 qershorit në Atlanta, me Harrisin në krye të garës për demokratët dhe Biden jashtë garës, sondazhet tregojnë se është kthyer në një garë me diferencë të vogël.

“Në vend të asaj që po formohej për të qenë një fitore e Trumpit, Amerika ka një garë të vërtetë dhe të mirëfilltë në duart e saj”, thotë Wayne Lesperance.

Ndërsa Harris përballet me detyrën monumentale për të shkuar nga zero në 60 në një afat kohor jashtëzakonisht të ngjeshur, ajo nuk po fillon nga e para, pasi ajo trashëgoi menjëherë aparatin e madh të fushatës së Bidenit me burimet e tij të mëdha të lojërave tokësore në shtetet kyçe të lëvizjes.

Harris përballet me një detyrë të menjëhershme vendimtare – zgjedhjen e një zëvendësi – që mund të vijë në fillim të javës ose dy.

Kochel, një veteran i fushatave të shumta presidenciale të GOP që mbeti neutral në zgjedhjet paraprake republikane të vitit 2024, theksoi se shumica e amerikanëve dinë shumë pak për rekordin e zëvendëspresidentit.

Në tubimin e tij të parë të fushatës që nga përfundimi i garës presidenciale, Trump nuk humbi kohë ndaj kundërshtarit të tij të ri.

Në një tubim në shtetin e betejës vendimtare të Karolinës së Veriut, kandidati republikan presidencial në mënyrë të përsëritur sulmoi Harris, të cilin ai e quajti në mënyrë nënçmuese “gënjeshtare Kamala Harris”.

Trump synonte ta pikturonte Harrisin si “zëvendëspresidenten më të paaftë dhe më të majtë në historinë amerikane”.

Ish-presidenti akuzoi se Harris “ka qenë forca lëvizëse ultra-liberale pas çdo katastrofe të Bidenit. Ajo është një e çmendur e majtë radikale që do të shkatërrojë vendin tonë nëse ndonjëherë i jepet mundësia për të marrë detyrën”.

Trump e kritikoi në mënyrë të përsëritur zëvendëspresidenten për sigurinë kufitare dhe krimin, dy çështjet kryesore në zgjedhjet e 2024.

Zëdhënësi i fushatës së Trump dhe këshilltari i lartë Steven Cheung tha se ekipi i ish-presidentit ishte gati të sulmonte Harrisin që në momentin pasoi Bidenin.

“Nuk kishte asnjë befasi. Ne ishim të përgatitur për të. Ne kishim të gjitha mjetet tona gati. Ne kishim të gjithë përmbajtjen tonë gati. Nuk befasoi askënd,” u tha Cheung gazetarëve përpara tubimit të Trump.

Harris, në anën tjetër po tregon për rezymenë e saj në zbatimin e ligjit, ndërsa vë në pah problemet e shumta ligjore të Trump, duke përfshirë 34 dënimet e tij për krime dy muaj më parë në gjyqin e parë penal të një ish-presidenti ose aktual.

“Siç e dini shumë prej jush, përpara se të zgjidhesha zv.Presidente, përpara se të zgjidhesha si senatore e Shteteve të Bashkuara, unë u zgjodha prokurore e përgjithshme e Kalifornisë. Para kësaj, unë isha prokuror i sallës së gjyqit. Në ato role, unë mora përsipër autorë të të gjitha llojeve”, tha Harris të hënën në një ngjarje në selinë e saj të fushatës në Wilmington, Delaware.

“Grabitqarë që abuzuan me gratë, mashtrues që grabisnin konsumatorët, mashtrues që thyen rregullat për përfitimin e tyre. Pra, më dëgjoni kur them se e njoh llojin e Donald Trump,” theksoi ajo ndërsa tregoi paditë e shumta dhe çështjet penale të Trump, shumë prej të cilave janë në vazhdim.

Harris përsëriti linjën e sulmit të nesërmen në një tubim në Milwaukee.

SHBA, emrat e kandidatëve të mundshëm demokratë për nënpresident

VOA

Kë do ta zgjedh Kamala Harris si kandidat për nënpresident? Në ditët në vijim, kjo do të jetë pyetja më e madhe politike në Shtetet e Bashkuara pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara për t’u rizgjedhur në Shtëpi të Bardhë edhe për një mandat dhe që kur Nënpresidentja Kamala Harris u bë kandidatja e pritshme demokrate. Kandidati republikan Donald Trump tashmë zgjodhi senatorin J.D. Vance si kandidatit për nënpresident.

Për momentin, Kamala Harris po bën fushatë vetëm. Në mesin e atyre që mund t’i bashkohen asaj si kandidat për nënpresident janë një numër guvernatorësh përfshirë atë të Karolinës Veriore Roy Cooper, një demokrat që ka fituar në një shtet që votoi pro republikanit Donald Trump për president, apo Guvernatori Josh Shapiro i Pensilvanisë, një shtet i konsideruar jetik nga të dy partitë për të fituar në nëntor.

Në listë është edhe astronauti Mark Kelly, aktualisht senator nga Arizona.

Me Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate vetëm disa javë larg, procesi i përzgjedhjes së kandidatit për nënpresident do të jetë i shpejtë.

“Rreziku i një procesi të përshpejtuar është që ka gjëra që mund të anashkalohen. Gabimet do të ishin shmangur nëse do të ishte një proces normal. Por ajo nuk ka zgjidhje tjetër. I duhet të veprojë me shpejtësi dhe të bëjë zgjedhjen e duhur”, thotë analisti William Galston nga Instituti “Brookings”.

Zgjedhja e duhur nuk mbështetet në ndonjë teori shkencore. Ajo ka të bëjë me përzgjedhjen e kandidatit që sjell më shumë vota, sidomos në një numër të vogël shtetesh të diskutueshme, përcaktuese pëpr rezultatin e zgjedhjeve.

Përzgjedhja e kandidatit për nënpresident nënkupton një përqendrim tek gjeografia më shumë se tek karakteri.

“Mendoj se dikush nga shtetet e pjesës qendrore apo edhe nga pjesa jugore e Shteteve të Bashkuara do të jenë zgjedhja më e mirë. Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear mendoj se do të ishte zgjedhje e mirë. Duhet të sigurohemi që kemi kandidatura të baraspeshuara ngaqë kemi një kandidat nga Kalifornia”, thotë delegati demokrat, Jay Chen.

Zonja Kamala Harris është nga Kalifornia. Dhe meqë kalkulimet politike përjashtojnë mundësinë që kandidatët për president dhe nënpresident të jenë nga i njejti shtet, Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili pritet të jetë kandidati për president në të ardhmen, përjashtohet nga ekuacioni.

A mund të kandidohen dy gra? Guvernatorja Gretchen Whitmer drejton shtetin e rëndësishëm dhe të papërcaktuar të Miçiganit, por siç duket ajo nuk dëshiron të hyjë në histori përmes kësaj mënyre.

“Nuk do të largohem nga Miçigani. Jam krenare që jam guvernatore e këtij shteti dhe i kam qëndruar pranë këtij parimi. E di që të gjithë gjithmonë kanë dyshime dhe ma bëjnë vazhdimisht këtë pyetje. Ju po e bëni punën tuaj, por unë do rri këtu”, deklaroi Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Popullariteti si guvernator apo suksesi si ligjvënës në Kongres nuk është garanci që një kandidat mund të korr sukses si pjesë e dyshes në zgjedhjet presidenciale, thotë autori i dy librave mbi postin e nënpresidentit, Joel K. Goldstein.

“A janë gati të shkëlqejnë në skenën kombëtare? Ajo dallon shumë nga gara brenda një shteti apo distrikti”, thotë zoti Goldstein nga Universiteti “Saint Louis”.

Njeriu i dytë në presidencë po ashtu duhet të jetë dikush që votuesit e pranojnë si dikë që është vetëm një hap larg të qenit president.

Demokratët përgatiten për të emëruar Nënpresidenten Harris si kandidate për presidente para 7 gushtit

VOA/Marrë nga Associated Press

Delegatët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate mund të emërojnë Nënpresidenten Kamala Harris si kandidaten e tyre për presidente dhe madje të fillojnë të miratojnë kandidatin për postin e Nënpresidentit, i cili ende nuk është caktuar, në një proces votimi përmes internetit, që fillon javën e ardhshme, ndërsa partia po tenton të veprojë me shpejtësi për t’u bërë bashkë në përkrahje të një kandidati të ri për zgjedhjet e nëntorit.

Komisioni i Rregullave të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokrate miratoi të mërkurën një propozim, sipas të cilit delegatët nga i gjithë vendi do të mund të votojnë për kandidatët e mundshëm presidencialë për të zëvendësuar Presidentin Joe Biden, i cili fundjavën e kaluar u tërhoq nga gara për një mandat të dytë.

Por zonja Harris është demokratja e vetme kryesore e cila ka njoftuar publikisht se kërkon emërimin e partisë, çka do të thotë se është thuajse e sigurtë që kandidimi i saj të miratohet në vetëm një raund votimi në internet që fillon në 1 gusht, 18 ditë para se të nisë punimet Kuvendi Kombëtar Demokrat në Çikago.

Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokrat Jaime Harrison iu referua tronditjes së pashembullt të garës presidenciale pas largimit të zotit Biden, duke u thënë anëtarëve të organit të Kuvendit që përcakton rregullat se “në këtë natë të errët, shohim yjet tanë më të shndritshëm”.

Plani u miratua pas rreth 90 minutash diskutimi në internet ku pati pak kundërshtime. E gjithë paketa e rregullave të Kuvnedit u miratua në fund me 158 vota pro dhe 3 kundër.

Sipas këtyre rregullave, zonja Harris dhe çdo kandidat tjetër demokrat që synon ta sfidojë atë duhet të depozitojë firmat elektronike të 300 delegatëve të Kuvendit, nga të cilat, më shumë se 50 firma nuk duhet të jenë nga i njëjti shtet. Nënshkrimet elektronike duhet të depozitohen brenda mbrëmjes së datës 30 korrik.

Kualifikimi i shumë kandidatëve mund të çojë në disa raunde votimi për disa ditë. Por, nëse zonja Harris është kandidatja e vetme, votimi do të fillojë më 1 gusht.

Delegatët do të mund të marrinë fletën e votimit përmes një email-it të sigurtë. Procesi pritet të hartohet jo vetëm për të emëruar zyrtarisht zonjën Harris, por me shumë gjasë edhe kandidatin e saj për Nënpresident, përpara gushtit, duke i lënë asaj pak kohë për të vendosur emrin që do zgjedhë si krahun e djathtë në garën presidenciale.

Është ende e paqartë se cilin mund të zgjedhë ajo. Deri tani emrat më të mundshëm janë guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro, guvernatori i Karolinës së Veriut, Roy Cooper, Senatori i Arizonës, Mark Kelly, por ka të ngjarë që të jenë duke u shqyrtyar edhe rreth 12 kandidatë të tjerë.

Zoti Biden u tërhoq nga gara fundjavën e kaluar dhe mbështeti zonjën Harris. Që atëherë qindra anëtarë demokratë të Kongresit dhe guvernatorë, sindikatat kryesore të punës dhe organizata aktiviste i kanë dhënë asaj përkrahje për të zëvendësuar zotin Biden.

Një anketim i agjencisë së lajmeve Associated Press i delegatëve të Kuvendit tregoi se Nënpresidentja ka mbështetjen e më shumë se 1,976 delegatëve që i duhen për të fituar që në raundin e parë të votimit brenda partisë së saj,

Megjithatë, kjo nuk e bën atë automatikisht të emëruarën e partisë dhe forca e saj politike po nxit procesin e votimit virtual nën argumentin se nuk mund të pritet deri në nisjen e Kuvendit për të zgjedhur formalisht kandidatin e partisë.

Partia Demokrate vë në dukje se shkak për këtë është afati i përcaktuar në fletët e votimit të shtetit të Ohajos se kandidatët duhet të zgjidhen dëri në 7 gusht.

Edhe pse ligjvënësit e Ohajos kanë miratuar ndryshimin e këtij parashikimi, ai hyn në fuqi në 1 shtator dhe avokatët e Kuvendit Kombëtar Demokrat paralajmëruar se mosrepsektimi i afatit fillestar mund të ketë pasoja ligjore.

“Partia jonë mbështet një proces të hapur, të drejtë dhe transpartent”, tha Minyon Moore, drejtuese e Kuvendit Kombëtar Demokrat. “Ne do veprojmë ashtu siç duhet”.

“Xhaxhai im në panik nga Kamala Harris”, mbesa e Trumpit: Ja çfarë e frikëson

Mary L. Trump, 59 vjeç, mbesa e vetme e ish-presidentit amerikan Donald Trump, shprehu edhe një herë kritika të ashpra ndaj xhaxhait të saj.

Në gazetën e saj The Good in Us, psikologia zbulon se sa shumë i frikësohet Trump demokrates Kamala Harris. “Xhaxhai im është në panik”, shkruan ajo. “Ai duhet të kandidojë kundër një gruaje të fortë, me ngjyrë dhe ish-prokurore, e cila nuk ka frikë të tallet publikisht me të”, shprehet ajo.

Xhaxhai i saj është në një rrugë pa krye. “E gjithë fushata e tij deri tani kishte për qëllim të mundte Biden”, shprehet mary, duke shtuar se “tani ai është befas njeriu i vjetër dhe kandidati më i vjetër në historinë e SHBA”.

Megjithatë, ajo që e shqetëson më shumë xhaxhain e saj është se shkrimet e gazetave nuk janë më për të, por për Kamala Harris.

“Ne e dimë se Harris ka mbledhur tashmë një shumë astronomike parash që nga e diela, 126 milionë dollarë në vetëm 48 orë. Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme është se pothuajse 90,000 nga këta donatorë dhuruan për herë të parë”.

Sipas transmetuesit amerikan CNN, ish-presidenti amerikan Barack Obama së shpejti do të shpallë mbështetjen e tij për zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidate demokrate. Ekipi i tij ka kontaktuar ekipin e saj të fushatës, tha një burim për CNN.

Obama, i cili nuk e miratoi menjëherë Harrisin pas tërheqjes së Bidenit, besonte se ishte e rëndësishme që Partia Demokratike të kishte një proces legjitim përmes të cilit delegatët zgjidhnin kandidatin e tyre të ri.

Tani, sipas burimit, ai ka arritur në përfundimin se Harris ka një fillim mbresëlënës. bw

Harris dhe Trump me sulme verbale të ndërsjellta

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, tha se zgjedhjet presidenciale të nëntorit në këtë vend do të jenë zgjedhje midis një ish-prokuroreje dhe një “krimineli të dënuar”.

Me këtë të fundit, kandidatja e pritur për presidente nga Partia Demokratike iu referua kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.

Harris i bëri komentet në tubimin e parë të saj zgjedhor në Uiskonsin.

Një ditë më herët u bë e qartë se ajo ka mbështetjen e shumicës së delegatëve demokratë, për t’u nominuar kandidate për presidente.

Presidenti aktual, Joe Biden, i dha asaj mbështetje, pasi vetë u tërhoq nga gara për rizgjedhje më 21 korrik. 

Duke folur para mijëra mbështetësve në Uiskonsin, Harris e krahasoi Trumpin me, siç tha, mashtruesit që si ish-prokurore i ka ndjekur penalisht.

Gjatë fjalimit, ajo parashtroi edhe një sërë prioritetesh liberale që tha se do t’i ketë nëse zgjidhet presidente, përfshirë këtu: kontrollin e armëve dhe qasjen në abort.

“A duam të jetojmë në një vend të lirisë, ndjesisë dhe sundimit të ligjit, apo në një vend të kaosit, frikës dhe urrejtjes?”, tha ajo.

Trump reagoi me një postim në rrjetet sociale, ku shkroi se “Kamala Harris gënjen” dhe “shkatërron gjithçka që prek”.

Ai u dënua në muajin maj për ndikim të paligjshëm në zgjedhjet e vitit 2016 dhe përballet me disa gjyqe të tjera. REL

SHBA, pritet stuhi gjeomagnetike të mërkurën- mund t’i bëjë dritat veriore të dukshme deri në Nju Jork

Aktiviteti i rritur diellor bëri që Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor të Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) të lëshojë një paralajmërim për një stuhi të mundshme gjeomagnetike nesër, e mërkurë, 24 korrik.

Një masë plazme, e njohur si një nxjerrje në masë koronale (CME), e cila u lëshua nga Dielli më 21 korrik, tani po shkon drejt Tokës dhe pritet të mbërrijë më 24 korrik.

Grimcat e ngarkuara elektrike, të njohura si jone, të lëshuara gjatë këtyre ngjarjeve kur ato përplasen me sferën manjetike të Tokës mund të shkaktojnë stuhi gjeomagnetike.

Gjatë stuhive gjeomagnetike, jonet përplasen me gazrat në atmosferën e Tokës dhe lëshojnë energji në formën e dritës, të cilën ne e njohim si Dritat Veriore (aurora borealis) në hemisferën veriore, ose dritat jugore (aurora australis) në hemisferën jugore.

Stuhitë gjeomagnetike klasifikohen nga NOAA, sipas intensitetit të tyre, në një shkallë G: Nga G1 më e dobëta, në G5 më e forta.

Paralajmërimi i mundshëm i stuhisë gjeomagnetike për të mërkurën, 24 korrik aktualisht është klasifikuar si G2.

(BalkanWeb)

Jep dorëheqjen drejtorja e Shërbimit Sekret, pas atentatit ndaj ish-presidentit Trump

Kimberly Cheatle gjatë seancës dëgjimore në Kongres (22 korrik 2024)

 

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – Drejtorja e Shërbimit Sekret, Kimberly Cheatle njoftoi dorëheqjen 10 ditë pas atentatit ndaj ish-Presidentit Donald Trump, që nxorri në pah dështime të shumta në reagimin e agjencisë ndaj autorit të sulmit. Zonja Cheatle e bëri të ditur largimin nga detyra përmes një mesazhi dërguar punonjësve.

Pas përpjekjes për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump pati reagime në rritje ndaj dështimit të agjencisë e cila siguron mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve.

Zonja Cheatle, e cila shërbente në detyrën e drejtores së Shërbimit Sekret që nga gushti 2022, u përball me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen, si dhe disa procese hetimore për rrethanat se si autori i atentatit arriti t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan presidencial në një tubim elektoral në Pensilvani.

“Marr përgjegjësinë e plotë për dështimet e sigurisë”, tha ajo në email-in drejtuar personelit të martën. “Në dritën e ngjarjeve të fundit, me zemër të rënduar kam marrë vendimin e vështirë për të dhënë dorëheqjen si drejtorja juaj”.

Dorëheqja e zonjës Cheatle vjen një ditë pasi ajo u paraqit përpara një komisioni të Kongresit dhe u kritikua me orë të tëra nga ligjvënës demokratë dhe republikanë për dështimet e sigurisë. Ajo e quajti përpjekjen për ta vrarë ish-presidentin Trump “dështimin më të rëndësishëm operacional” të Shërbimit Sekret në dekada dhe tha se merr përgjegjësinë e plotë për gabimet e sigurisë. Ajo megjithatë shkaktoi zemëratën e ligjvënësve duke mos iu përgjigjur pyetjeve konkrete në lidhje me hetimin.

Në seancën dëgjimore të hënën, zonja Cheatle vazhdoi në mënyrë sfiduese të deklarojë se ajo ishte “personi i duhur” për të udhëhequr Shërbimin Sekret, edhe pse tha se mbante përgjegjësi të plotë për dështimet e sigurisë. Kur ligjvënësja republikane Nancy Mace i sugjeroi zonjës Cheatle të fillonte të hartonte letrën e saj të dorëheqjes, zonja Cheatle iu përgjigj: “Jo, faleminderit”.

Atentatori 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti të afrohej në një distancë prej 135 metrash pranë podiumit ku ish-presidenti Trump po mbante fjalimin dhe hapi zjarr. Kjo ndodhi megjithëse në ditët pararendëse ishin shtuar masat e sigurisë, për shkak të një kërcënimi nga Irani ndaj jetës së ish-presidentit.

Kamala Harris thyen rekord, fiton 231 milionë dollarë donacione në ditën e parë të fushatës Presidenciale

Zv/presidentja e SHBA, Kamala Harris kërkoi 231 mln dollarë nga donatorë të vegjël dhe të mëdhenj, në 24 orët e para që nga fillimi i fushatës së saj presidenciale.

Fushata e saj nisi me një mbështetje të madhe, Harris fitoi 81 mln dollarë nga donatorët e vegjël dhe “bomba” ishte 150 mln dollarë nga donatorët e mëdhenj, duke shënuar atë që është grumbullimi më i madh i parave gjatë periudhës së fushatës.

Ndërsa të dielën, u raportuan vetëm për 1 orë plot 11 mln dollarë, pak pasi Joe Biden u tërhoq nga gara dhe ia dorëzoi stafetën Kamala Harris për t’u përballur me ish-presidentin Trump.

Zëdhënësja e fushatës, Lauren Hitt tha se Harris kishte mbledhur 49.6 mln dollarë donacione në 15 orët e para pas miratimit të Biden. Ajo tha se ky numër u rrit në 80 mln dollarë gjatë ditës së hënë.

Por nuk ishin vetëm donatorët e vegjël që u ngritën për të mbështetur Harris. “Future Forëard”, Komiteti i Aksionit Politik (PAC) që po punonte për të rizgjedhur Biden, siguroi 150 mln dollarë financim nga donatorët kryesorë demokratë 24 orë pasi presidenti amerikan i dha fund fushatës së tij dhe miratoi Harris.

PAC, e cila tani do të mbështesë Harris, kishte tanimë 122 mln dollarë prej fundit të qershorit, sipas të dhënave të Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Madje, megadonatorë të tjerë demokratë thanë se do të rifillonin të dhuronin para pasi deri tani nuk kishin bërë donacione përe t’i bërë presion Bidenit që të tërhiqej nga gara.

“Unë jam duke e mbështetur atë me gjithë zemër”, tha Abigail Disney, një regjisore që është një trashëgimtare e pasurisë së Disney.

Të dielën pasdite, fushata e Biden ndryshoi zyrtarisht emrin e saj në “Harris për President”, duke reflektuar se ajo do të trashëgojë strukturën e tij politike prej më shumë se 1 mijë punonjësish dhe një buxhet prej 96 mln dollarë deri në fund të qershorit.

Nga ana tjetër, fushata e Donald Trump ka shënuar donacione të mëdha, pavarësisht nga gjetja fajtor dhe dënimi me 34 akuza për krime në gjyqin për paratë e heshtura në Manhattan.

Ai fitoi financime të mëdha nga liderët e biznesit dhe të botës së teknologjisë.

Manjati i Tesla-s, Elon Musk i cili në fillim të vitit këmbënguli se nuk do të financonte Trumpin, pak ditë më parë tha se do të jepte 45 mln dollarë ccdo muaj për të rritur performancën zgjedhore të republikanëve në nëntor.

(BalkanWeb)

Biden: Tërheqja ishte gjëja e duhur për t’u bërë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se vendimi i tij për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje, ka qenë “gjëja e duhur për t’u bërë”.

Biden i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me ndihmësit e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike.

Këto ishin të parat prej tij, prej se u tërhoq nga gara më 21 korrik.

Ai i dha mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, e cila tani duhet të sigurojë nominimin e partisë si kandidate për presidente.

“E di që lajmi [për tërheqjen time] ishte befasues dhe i vështirë për t’u dëgjuar, por ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

Ai tha se ekipi ka punuar “me shpirt” për ta ndihmuar atë që të qëndronte në detyrë edhe për një mandat të dytë, por shtoi se “nuk do të shkojë askund” dhe se do të mbetet “plotësisht i angazhuar” në fushatë.

“Shpresoj që ju t’i jepni Kamalës një pjesë të zemrës dhe shpirtit tuaj, që ma keni dhënë mua”, u tha Biden përfaqësuesve të fushatës.

“Ne ende duhet ta shpëtojmë këtë demokraci. Trumpi paraqet ende rrezik për këtë komb”, tha Biden duke iu referuar kandidatit republikan për president, Donald Trump.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 5 nëntor.

Biden, 81 vjeç, u tërhoq pas shqetësimeve në rritje për moshën dhe shëndetin e tij. REL

Kamala Harris konsolidon me shpejtësi mbështetjen e demokratëve, siguron 81 milionë dollarë fonde për fushatën

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

UASHINGTON – Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris konsolidoi me shpejtësi të hënën mbështetjen e demokratëve, përfshirë nga figurat kryesore të partisë, për kandidaturën e saj presidenciale, duke siguruar përkrahjen e qindra delegatëve të Kuvendit dhe duke njoftuar për grumbullimin e një sasie masive fondesh, pasi Presidenti Joe Biden u largua papritur nga gara.

Duke folur para ekipit të fushatës presidenciale në Uilmington të Delauerës, zonja Harris e pranoi se javët e fundit kishin qenë intensive, por shprehu besimin tek ky ekip.

“Objektivi im është të fitoj emërimin dhe të fitoj në zgjedhje”, tha ajo. Ajo premtoi “të bashkojë partinë Demokrate, të bashkojë vendin dhe të fitojë zgjedhjet.”

Ajo përmendi temat qendrore që do të spikasin në fushatën e saj kundër zotit Trump gjatë 100 ditëve të ardhshme, duke vënë në dukje kontrastin mes saj si ish-prokurore dhe ish-Presidentit që përballet me probleme të shumta ligjore.

Ajo e paraqiti veten si avokate e mundësive ekonomike dhe së drejtës për qasjen në abort.

“Lufta jonë për të ardhmen është gjithashtu një luftë për liri,” tha ajo. “Stafeta është në duart tona.”

Presidenti telefonoi nga shtëpia e tij në Rehoboth të Delauerës, ku po merr veten nga COVID-19, për të shprehur mbështetjen ndaj zonjës Harris.

Ai planifikon të flasë për vendimin e tij për t’u larguar nga gara në një fjalim drejtuar kombit më vonë këtë javë.

Presidenti Biden thotë se misioni i fushatës nuk ka ndryshuar dhe premtoi se do të bëjë fushatë për zonjën Harris.

“Ishte gjëja e duhur”, tha zoti Biden lidhur me vendimin e tij për të dalë nga gara.

Zonja Harris po siguron me shpejtësi mbështetjen e demokratëve. Ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi, ish-Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një zë me ndikim i Partisë Demokratike, mbështeti të hënën emërimin zonjës Harris si kandidate për presidente të kësaj partie, duke u bërë e fundit mes një vale demokratësh me peshë që e bënë një gjë të tillë.

Zonja Pelosi, e cila vazhdon të jetë zë me ndikim që kur përfundoi mandatin e saj si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2022, luajti një rol thelbësor për ta bindur zotin Biden që të tërhiqet nga fushata për shkak të shqetësimeve rreth gjendjes së tij mendore dhe aftësisë për ta mundur kandidatin republikan Donald Trump apo për të shërbyer në pozitën e presidentit për katër vitet e ardhshme.

“Me dashuri dhe mirënjohje, përgëzoj Presidentin Biden për besimin që ka pasur gjithmonë tek mundësitë që ofron Amerika dhe që u jep njerëzve shansin për të përmbushur potencialin e tyre”, deklaroi zonja Pelosi, 84 vjeçe, në një deklaratë. “Duhet të bashkohemi, të ecim përpara me vendosmëri për ta mposhtur Donald Trumpin dhe me entuziazëm ta zgjedhim Kamala Harris Presidente të Shteteve të Bashkuara.”

Fushata synon të sigurojë deri në mbrëmjen e së mërkurës angazhimet e shumicës së afro 4,000 delegatëve demokratë në Kuvendin e Partisë Demokrate që mbahet muajin e ardhshëm, i thanë disa burime agjencisë Reuters. Një gjë e tillë do t’i siguronte asaj praktikisht emërimin si kandidate e partisë. Zyrtarët dhe aleatët e fushatës së saj kanë bërë qindra telefonata duke u kërkuar delegatëve që të propozojnë zonjën Harris për presidente në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Fushata e zonjës Harris tha se ka mbledhur 81 milionë dollarë në 24 orët pas largimit të zotit Biden, shifra më e lartë për një ditë të vetme deri tani në fushatën për zgjedhjet e këtij viti për secilën palë.

Pothuaj se të gjithë demokratët me ndikim, të cilët janë konsideruar si rivalë të mundshëm të zonjës Harris kanë ofruar përkrahjen e tyre për të, përfshirë guvernatoren e Miçiganit Gretchen Whitmer, të Kalifornisë Gavin Newsom dhe Andy Beshear nga Kentaki.

Zonja Harris, 59 vjeçe, falenderoi zotin Biden për kontributin e tij të hënën më herët në Uashington.

“Trashëgimia e Joe Bidenit gjatë këtyre tre viteve është e pashembullt në historinë moderne,” deklaroi zonja Harris në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë për të nderuar sportistët e universiteteve. “Çdo ditë, presidenti ynë, Joe Biden, lufton për amerikanët dhe ne jemi thellësisht, thellësisht mirënjohës për shërbimin që ai i bën vendit tonë.”

Demokratët shpresojnë që zonja Harris të mund të rigjallërojë atë që kishte qenë një fushatë presidenciale e vakët, disa ditë pasi Kuvendi Kombëtar Republikan, paraqiti një front të bashkuar dhe tregoi mbizotërimin e ish-Presidentit Trump në partinë e tij.

Nënpresidentja Harris pritet të vazhdojë kryesisht politikën e jashtme të Presidentit Biden për çështje të tilla si Kina, Irani dhe Ukraina, por mund të ketë një ton më të ashpër me Izraelin lidhur me luftën në Gazë, nëse fiton zgjedhjet e nëntorit.

Ajo ka qenë e hapur për mbrojtjen e të drejtave të abortit, një çështje që rezonon me votuesit më të rinj dhe demokratët më liberalë.

Përkrahësit argumentojnë se ajo do t’i mobilizonte ata votues, do të konsolidonte mbështetjen e afrikano-amerikanëve dhe do të sillte aftësinë e saj për të debatuar përballë ish-presidentit.

Më shumë se 44,000 gra dhe aleatë afrikano-amerikanë, përfshirë ligjvënëset Maxine Waters, Jasmine Crockett dhe Joyce Beatty, bënë thirrje për mbështetjen e zonjës Harris, dhe grumbulluan më shumë se 1.5 milionë dollarë për fushatën e saj presidenciale, thanë organizatorët për agjencinë Reuters.

Por disa demokratë janë të shqetësuar lidhur me historinë e gjatë të diskriminimit racor dhe gjinor në vend.

SHBA nuk ka zgjedhur asnjëherë një grua presidente në historinë e saj gati 250-vjeçare.

Zonja Harris shkoi në Delauerë të hënën pasdite për të vizituar ish-selinë e fushatës së zotit Biden që tani shërben si zyra e saj kryesore e fushatës.

Kamala Harris lavdëron presidentin Biden

Nënpresidentja amerikane, në paraqitjen e saj të parë pas daljes në pension të presidentit, vlerëson “ndershmërinë dhe integritetin e tij”, duke thënë se është mirënjohëse për punën e tij.

VOAL- Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris – në daljen e saj të parë publike që kur presidenti braktisi ofertën e tij për rizgjedhje – vlerësoi rezultatet e Joe Biden. “Trashëgimia dhe arritjet e Joe Biden janë të pashembullta në historinë moderne,” theksoi Harris të hënën gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë që nderonte atletët e kolegjit. “Çdo ditë presidenti ynë, Joe Biden, ngrihet në mbrojtje të popullit amerikan dhe ne jemi thellësisht mirënjohës për shërbimin e tij ndaj kombit.”

Harris mori pjesë në ngjarje si një zëvendësim për Biden, i cili po shërohet në shtëpinë e tij në Rehoboth Beach, Delaware, pasi u kontraktua me COVID-19 javën e kaluar.

Në një deklaratë, Harris vlerësoi “gjestin vetëmohues dhe patriotik” të Biden në vendosjen për t’u larguar nga gara. “Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të bashkuar Partinë Demokratike – dhe për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trump dhe axhendën e tij ekstreme”, tha Harris.

Lidhur me shëndetin e presidentit, Harris shtoi se Biden po ndihet shumë më mirë dhe po shërohet shpejt nga COVID-19.

Dalja e Biden të dielën, e nxitur nga shqetësimet demokrate për përshtatshmërinë e tij për postin, përfaqësoi një ndryshim në garën presidenciale që përmbysi planet e të dy partive kryesore politike. Agjencitë e lajmeve/RSI

Alexander Kasanof, në vend të Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor

Alexander “Sasha” Kasanof ka marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.

Këtë post paraprakisht e kishte mbajtur Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj të këtij viti.

Kasanof, që nga 19 korriku, sipas ueb-faqes së DASH-it, është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it.

Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Detyrat e Sashas në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit ezekutiv, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale”, thuhet në ueb-faqen e DASH-it.

Sipas biografisë të publikuar nga DASH-i, Alexander “Sasha” Kasanof ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins dhe në Kolegjin Hamilton.

Ai flet gjuhën frenge, italiane, ruse dhe spanjolle. REL

Zyrtarët demokratë dhe donatorët mbështesin zonjën Harris pas tërheqjes së zotit Biden nga gara presidenciale

VOA/Steve Herman, Ken Bredemeier

Koha duket se është në anën e nënpresidentes amerikane Kamala Harris të hënën, pasi një numër i madh ligjvënësish demokratë, guvernatorësh dhe dhuruesish financiarë shprehën mbështetjen e tyre që ajo të jetë kandidatja presidenciale e partisë në zgjedhjet e nëntorit, pasi presidenti Joe Biden shpalli të dielën vendimin për t’u tërhequr nga gara.

Presidenti Biden pak pas njoftimit të befasishëm të dielën, i shprehu mbështetjen zonjës Harris si kandidate të partisë për t’u përballur me ish presidentin Donald Trump, kandidatin e Partisë Republikane.

Zonja Harris, e cila është 59 vjeçe, njoftoi shpejt se do të kërkonte emërimin. Ajo ishte senatore nga shteti më i populluar i vendit, Kalifornia, kur zoti Biden e zgjodhi në 2020 si kandidate për postin e nënpresidentes.

Vlerësimet rreth saj në anketat kombëtare kanë pasqyruar në masë të madhe ato për presidentin, por disa anketa të votuesve të mundshëm tregojnë se zonja Harris qëndron pak më mirë se zoti Biden përballë zotit Trump dhe në disa, ajo ka dalë përpara ish presidentit Trump.

Zonja Harris tha në një deklaratë se presidenti Biden, duke u tërhequr nga gara kundër zotit Trump, “po bën atë që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, duke vënë popullin amerikan dhe vendin tonë mbi çdo gjë tjetër”.

“Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për të bashkuar Partinë Demokratike dhe për të bashkuar kombin tonë, për të mposhtur Donald Trumpin”, tha ajo. “Kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku, ne do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”.

ActBlue, platforma kryesore e demokratëve për mbledhjen e fondeve, tha të dielën vonë se kishte mbledhur 46.7 milionë dollarë në donacione të vogla për fushatën e zonjës Harris vetëm gjatë ditës së djeshme. Kjo e dhënë paraqet një ndryshim të madh krahasuar me javët e zbehjes së mbështetjes për zotin Biden, veçanërisht midis dhuruesve kryesorë, pas paraqitjes së tij në një debat në fund të qershorit përballë zotit Trump.

Shumë zyrtarë ta lartë demokrat mbështetën zonjën Harris, përfshirë të paktën një anëtar të kabinetit të zotit Biden, Sekretarin e Transportit Pete Buttigieg, i cili tha se do të bënte “gjithçka që mundem” për të ndihmuar zgjedhjen e saj.

Nëse zonja Harris zgjidhet nga partia për të zëvendësuar zotin Biden, ajo do të ishte gruaja e parë i dhe gruaja e parë afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore si kandidate presidenciale në historinë 248-vjeçare të Shteteve të Bashkuara.

Njoftimi i zotit Biden të dielën pasoi shtimin e thirrje brenda Partisë Demokratike që i kërkonin atij të “kalojë pishtarin” tek dikush tjetër, mes rënies së numrave në anketat kombëtare dhe shqetësimeve të ngritura pas paraqitjes së tij në debat me zotin Trump. Gjatë atij debati, presidenti 81-vjeçar shpesh dukej se humbiste fillin e mendimit, nuk arriti t’i kundërvihej me forcë 78 vjeçarit Donald Trump ose të mbronte mandatin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Biden ngulmoi, duke theksuar se nuk do të hiqte dorë nga gara përveç nëse “Zoti i Plotfuqishëm” nuk e kërkonte një gjë të tillë, ose nëse do t’i tregoheshin numrat e anketave që tregojnë se nuk mund ta mposhtë Trumpin për herë të dytë ose nëse do të këshillohej nga mjekët e tij se nuk ishte fizikisht në gjendje të vazhdojë garën.

“Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të përqendrohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si president për pjesën e mbetur të mandatit tim”, tha ai në një deklaratë të dielën. Mandati i tij përfundon në muajin janar.

Presidenti Biden tha se planifikon t’i drejtohet kombit lidhur me vendimin e tij, më vonë gjatë javës.

Ish presidenti Trump reagoi ndaj njoftimit duke sulmuar zotin Biden dhe zonjën Harris. Në një postim në median e tij Truth Social, ai tha se presidenti Biden “nuk është i përshtatshëm për të kandiduar për president dhe sigurisht që nuk është i përshtatshëm për të shërbyer (në këtë detyrë)”. Ai tha se zonja Harris është edhe më keq se zoti Biden.

“Harris do të jetë më e lehtë për t’u mposhtur sesa do të kishte qenë Joe Biden”, tha ish presidenti Trump për rrjetin CNN.

Shumë republikanë reaguan duke kërkuar që zoti Biden të jap dorëheqjen si president.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili është i dyti në linjën e pasuesve presidenciale pas zonjës Harris, i bëri thirrje presidentit Biden të japë dorëheqjen, duke pretenduar që nëse ai nuk është i përshtatshëm për të mbajtur gjallë kandidaturën e tij për një mandat tjetër katërvjeçar, nuk është gjithashtu i përshtatshëm për të qëndruar si president deri më 20 janar.

Nëse zoti Biden do të jepte dorëheqjen, zonja Harris do të betohej menjëherë si presidente, të paktën deri në inaugurimin e fituesit të zgjedhjeve të nëntorit.

Emra të demokratëve të tjerë të shquar janë përmendur si kandidatë të mundshëm përveç zonjës Harris, duke përfshirë disa guvernatorë shtetesh si Gretchen Whitmer nga Miçigani, Josh Shapiro nga Pensilvania, J.B. Pritzker nga Illinoisi dhe Gavin Newsom nga Kalifornia. Josh Shapiro dhe Gavin Newsom mbështetën zonjën Harris të dielën.

Ish presidenti Bill Clinton dhe zonja Hillary Clinton, e cila shërbeu si Sekretare e Shtetit në administratën e presidentit Barack Obama, mbështetën zonjën Harris në një deklaratë. Ish presidenti Obama, me të cilin zotin Biden shërbeu si nënpresident për tetë vjet, falënderoi zotin Biden për patriotizmin e tij, por nuk tregoi nëse ai do mbështeste zonjën Harris ose ndonjë pretendent tjetër të mundshëm.

Raportet e mediave në orët e para pas tërheqjes së zotit Biden, cituan burime të afërta me senatorin Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore, tani një i pavarur, duke thënë se ai po shqyrtonte ribashkimin me Partinë Demokratike në përpjekje për të zëvendësuar presidentin si kandidat i partisë.

Ka dy mënyra se si demokratët mund ta zëvendësojnë zotin Biden.

Njëra do të ishte një votim virtual i delegatëve të Kuvendit Kombëtar Demokratike, që do të përcaktonte një kandidat të ri në fillim të gushtit. Shanset janë që ky proces do të favorizonte zonjën Harris, për të shmangur konfliktin në Kuvendin që mbahet në Çikago nga 19 deri më 22 gusht.

Mënyra tjetër se si demokratët mund të zgjidhnin një kandidat të ri do të ishte një kuvend “i hapur” në të cilën disa kandidatë, përfshirë zonjën Harris, do të kërkonin emërimin presidencial, një skenar që partia nuk e ka përjetuar që nga viti 1968, kur presidenti Lyndon Johnson hoqi dorë nga planet e tij për të kandiduar përballë kundërshtimit të gjerë ndaj trajtimit të tij të luftës së Amerikës kundër Vietnamit të Veriut.

Disa demokratë po propozojnë që partia të mbajë shpejt një palë “mini zgjedhje paraprake” për të mundësuar që zonja Harris dhe kushdo tjetër, të konkurrojnë hapur.

*Disa pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Harris: Ne do të fitojmë

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë se është e nderuar që gëzon mbështetjen e presidentit aktual, Joe Biden për t’i hyrë garës presidenciale të nëntorit dhe që synon fitoren.

“Do të bëj gjithçka që mundem për të bashkuar Partinë Demokratike – për të bashkuar kombin tonë – për të mposhtur Donald Trumpin dhe agjendën e tij ekstreme Projekti 2025”, ka thënë Harris përmes një deklarate.

“I kemi 107 ditë deri në ditën e zgjedhjeve. Së bashku do të luftojmë. Dhe së bashku do të fitojmë”.

Ajo e ka bërë këtë deklaratë, pak pasi Biden ka thënë se beson që tërheqja e tij nga gara është në të mirë të Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim vjen pas thirrjeve në rritje për largim të Bidenit nga gara për zgjedhjet e nëntorit, sidomos pas një debati që ka zhvilluar me kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump, në të cilin nuk ka pasur performancë të mirë.

“Ka qenë nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si president”, ka thënë Biden, duke paralajmëruar që do të flasë më shumë gjatë javës lidhur me këtë vendim.

Biden, 81-vjeçar është infektuar më herët gjatë javës me koronavirus dhe është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.

Biden u ka rezistuar me javë thirrjeve për t’u tërhequr nga gara, duke thënë se është personi më i mirë për të mposhtur Trumpin, 78-vjeçar.

Biden e ka mposhtur Trumpin më 2020, duke garantuar fitore në shtetet kritike si Pensilvania, Uiskonsin dhe Miçigan.

Konventa e Demokratëve, në të cilën emërohet zyrtarisht kandidati për president, do të mbahet më 19-22 gusht në Çikago, Illinois.

Nëse zgjidhet si kandidate demokrate, Harris, 59-vjeçare, ish-prokurore dhe senatore e Kalifornisë, do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë në historinë amerikane, që do të garojë për presidente. REL

Kërkoi largimin e Presidentit nga gara, kongresmeni demokrat: Biden nuk më njohu kur u takuam

Një kongresmen amerikan ka thënë se ai vendosi t’i bashkohet thirrjeve që Joe Biden të largohej nga gara presidenciale pasi ai pretendoi se 81-vjeçari dukej se nuk e njihte atë në një ngjarje të fundit.

Seth Moulton, një demokrat nga Massachusetts, ishte një nga të parët që bëri thirrje që Biden të tërhiqej nga gara menjëherë pas performancës së tij katastrofike në debat muajin e kaluar. Të premten, Moulton shtoi përpjekjet e tij për të larguar presidentin nga oferta demokrate e vitit 2024 në një shkrim për Boston Globe.

Moulton tha se ai u takua me Biden në një grup të vogël për 80-vjetorin e D-day në Normandi më 6 qershor. “Për herë të parë, ai duket se nuk më njohu”, shkroi demokrati.

“Sigurisht, kjo mund të ndodhë me kalimin e moshës, por, ndërsa pashë debatin katastrofik disa javë më parë, duhet të pranoj se ajo që pashë në Normandi ishte pjesë e një problemi më të thellë.

“Amerika ka nevojë që ai të fitojë dhe, si shumica e amerikanëve, nuk kam më besim se ai mundet. Presidenti duhet të largohet nga gara”, tha Moulton.

Javën e kaluar, Donald Trump, ish-presidenti dhe kandidati republikan për garën e vitit 2024, ishte objektivi i një atentati të dështuar. Moulton tha se të shtënat kishin “ndryshuar mendimin kombëtar për momentin por ajo që nuk ka ndryshuar janë këto fakte themelore: Biden është duke ndjekur Trumpin në shtetet kritike dhe ai ende nuk ka treguar se ai është i gatshëm ose në gjendje të ndryshojë strategjinë”. bw

Çfarë ndodh nëse presidenti Biden tërhiqet nga kandidimi?

VOA/Patsy Widakuswara

Të premten, ekipi elektoral i presidentit Joe Biden deklaroi se ai do të qëndrojë në garën presidenciale. Por numri i demokratëve që po shprehen publikisht se shanset e tij për të fituar në zgjedhjet e nëntorit janë të pakëta por rritet dhe ekziston ende mundësia që presidenti Biden të tërhiqet. Vetëm të premten folën publikisht 12 demokratë të zgjedhur, duke e rritur në rreth 35 numrin e ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kanë kërkuar tërheqjen e presidentit nga gara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, demokratët duhet të marrin një vendim të shpejtë se kush do ta zëvendësojë atë dhe për mënyrën se si do të realizohet kjo.

Presidenti Biden është aktualisht i izoluar për shkak të COVID-it në shtëpinë e tij në Delauer. Nëse ai do të tërhiqej nga gara presidenciale, një skenar i mundshëm do të ishte që ai të mbështeste një kandidat alternativ.

Pothuajse të gjithë 3,896 delegatët që do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar Demokrat në Çikago muajin e ardhshëm e kanë përcaktuar votën për presidentin Biden, i cili fitoi në zgjedhjet paraprake në mbarë vendin. Por siç thotë analisti politik John Fortier, ekziston një alternativë.

“Mund të bëhet ndonjë negociatë nëse Joe Biden vendos të tërhiqet dhe ndoshta mund të inkurajohet nënpresidentja Harris që të bëhet kandidatja zyrtare. Por nuk ekziston një garanci absolute, apo një mënyrë ligjore për ta zhvendosur mbështetjen drejt saj”, thotë zoti Fortier për Zërin e Amerikës.

E dyta në hierarkinë presidenciale, nënpresidentja Kamala Harris do të ishte zgjidhja e logjikshme.

58% e demokratëve mendojnë se zonja Harris do të ishte një presidente e mirë, sipas një anketimi të ri nga Qendra për Studime Publike dhe agjencia e lajmeve Associated Press. Por vetëm 30% e amerikanëve mendojnë se ajo duhet të kandidojë për presidente.

Publikisht ajo mbështet presidentin Biden.

“Joe Biden është kandidati ynë. E mundëm Trump-in njëherë dhe do ta mundim sërish. Pikë”, tha ajo.

Emërimi i një kandidateje afrikano-amerikane si zonja Harris, mund të ndihmonte edhe për të siguruar votat e afrikano-amerikanëve, një bazë themelore mbështetësish të Partisë Demokrate.

Megjithatë, demokratët mund të duan edhe të shmangin një imazh jodemokratik me një “kurorëzim” automatik, në veçanti nëse ka persona të tjerë që do të shprehnin dëshirën për të qenë kandidatë.

Ndër kandidatët e mundshëm janë edhe tre guvernatorë: Gavin Newsome i Kalifornisë, Josh Shapiro i Pensilvanisë dhe Gretchen Whitmer e Miçiganit.

“Objektivi i partisë do të jetë një proces përpara kuvendit dhe gjatë kuvendit, që do t’u japë pundësi personave që do të futen në garë të komunikojnë me delegatët. Mund të bëhen disa gjëra. Mund të ketë takime lokale. Mund të ketë edhe një debat”, thotë Elaine Kamarck, nga Instituti Brookings.

Gjatë kuvendit, demokratët duhet të vendosin edhe se cili do të jetë kandidat për nënpresident, një tjetër proces ky që mund të sjellë entusiazëm, por edhe ndasi.

“Kushdo që do të kritikojë më shumë kandidimin e zonjës Harris do të jetë ndoshta nga fraksioni i partisë që do të paraqesë kandidatin për nënpresident. Por janë të gjitha spekulime në këtë pikë, pasi nuk është parë një gjë e tillë më parë”, thotë Jennifer Mercieca, profesore për komunikimin politik në Universitetin Texas A&M.

Ndërsa afrojnë zgjedhjet e nëntorit, situata duket e trazuar për demokratët.

“Do ta bëjmë me shumë shpejtësi Amerikën sërish madhështore”, tha ish-presidenti Trump.

Republikanët kanë përfunduar tashmë kuvendin e tyre, duke demonstruar unitet në mbështetje të kandidatit të tyre për president, Donald Trump.

Presidenti Biden thirrje demokratëve të bashkohen, beson tek fitorja në zgjedhje

VOA/AP dhe Reuters

UASHINGTON – Presidenti Joe Biden bëri thirrje të premten për bashkim të partisë për ta mposhtur atë që e quajti “vizioni i errët” që përfaqëson kundërshtari i tij politik, ish-Presidentit Donald Trump. Komentet e zotit Biden vijnë përballë trysnisë së demokratëve në nivelet më të larta, që po kërkojnë nga ai të largohet nga gara presidenciale dhe të hapë rrugë për emërimin e një kandidati të ri.

Ndërsa më shumë ligjvënës dhe senatorë demokratë iu bashkuan zërave kundërshtarë të premten, ka arritur në rreth 36 numri i të zgjedhurve demokratë në Kongres që duan që zoti Biden të tërhiqet pas paraqitjes së dobët në debatin me zotin Trump.

Gjatë orëve të vona të së premtes, senatori demokrat nga Ohajo, Sherrod Brown iu bashkua thirrjeve për tërheqjen e presidentit Biden nga kandidimi.

Senatori Brown u shpreh në një deklaratë se ai është dakort me shumë banorë të Ohajos që e kanë kontaktuar. “Mendoj se presidenti duhet t’i japë fund fushatës së tij elektorale”, tha senatori demokrat që përballet këtë vit me një kandidim të vështirë për rizgjedhjen e tij.

Senatori demokrat Sherrod Brown

Senatori demokrat Sherrod Brown

Pak më vonë, ligjvënësi demokrat nga Kentaki, Morgan McGarvey gjithashtu i bëri thirrje presidentit të tërhiqet, duke deklaruar se “nuk ka gëzim në pranimin se ai nuk duhet të jetë kandidati ynë në nëntor. Por, çfarë do të vendoset nga këto zgjedhje është tepër e rëndësishme”.

Presidenti Biden ndodhet i izoluar në shtëpinë e tij të pushimit në Dellauer, pas infektimit me COVID-19, por ai tha se java tjetër do ta gjejë atë në fushatë.

Presidenti, i cili këmbëngul se mund ta mundë kandidatin republikan Donald Trump, po konsultohet me familjen dhe po mbështetet tek disa këshilltarë të tij të besueshëm, ndërkohë që po përpiqet t’u rezistojë përpjekjeve për ta larguar nga gara.

Në një deklaratë të premten, zoti Biden tha se fjalimi i zotit Trump në Kuvendin Kombëtar Republikan, shpalosi “një vizion të errët për të ardhmen”. Presidenti, që po përpiqet ta spostojë bisedën politike nga e ardhmja e tij tek axhenda e kundërshtarit të tij, tha se kishte në plan t’i rikthehej fushatës javën e ardhshme. Ai këmbënguli se pavarësisht shqetësimeve të disa zyrtarëve të partisë, ai mund t’i fitojë zgjedhjet e nëntorit.

“Bashkarisht, ne mundemi dhe do ta mposhtim atë tek kutia e votimit”, deklaroi zoti Biden. “Rreziku është i lartë dhe zgjidhja është e qartë. Së bashku, do të fitojmë”.

Gjithashtu, nënpresidentja Kamala Harris siguroi të premten mbështetësit kryesorë financiarë demokratë se Partia Demokrate do t’i fitojë zgjedhjet presidenciale, ndërkohë që shtohej numri i ligjvënësve demokratë që kërkonin tërheqjen e presidentit.

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë një videokonference

Nënpresidentja Kamala Harris gjatë një videokonference

“Do t’i fitojmë këto zgjedhje”, tha ajo gjatë një telefonate të organizuar në minutën e fundit, sipas një personi në dijeni të bisedës. “E dimë se cili kandidat në këto zgjedhje vendos të parin popullin amerikan: presidenti ynë Joe Biden”.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, në ftesën dërguar donatorëve u kërkohej të merrnin pjesë në një informim 30-minutësh “për të diskutuar nevoja urgjente që po shfaqen”. Kjo agjenci pati njoftuar se disa nga aktivitetet për mbledhje fondesh për fushatën elektorale të presidentit ishin pezulluar, ndërsa donatorët kishin kërcënuar t’i tërhiqnin fondet e tyre.

Më herët gjatë ditës, drejtuesja e fushatës Jen O’Malley Dillion, pranoi se ka “rënie” të përkrahjes për presidentin, por këmbënguli se ai “absolutisht” do të qëndrojë në garë dhe se ekipi i tij elektoral mendon se ka “disa mënyra” për ta mundur zotin Trump.

“Kemi shumë punë për t’i siguruar amerikanët se po, është i moshuar, por ai mund të fitojë zgjedhjet”, deklaroi ajo në televizionin MSNBC. Por ajo tha se votuesit e shqetësuar rreth aftësisë së zotit Biden për të udhëhequr vendin, nuk kanë vendosur aspak të votojnë zotin Trump. “Ata kanë pyetje, por po qëndrojnë me Joe Biden-in,” tha ajo.

Në të njejtën kohë, dega e Komitetit Kombëtar Demokrat mbajti një takim të premten, duke vazhduar me planet për një votim virtual më 7 gusht për të emëruar të përzgjedhurin e partisë për president para kuvendit të partisë që do të mbahet në fund të gushtit në Çikago.

Këto janë ditë tejet të rëndësishme për presidentin dhe partinë e tij: zoti Trump sapo përmbylli Kuvendin Kombëtar Republikan në Miluoki me entuziazëm. Ndërkohë, demokratët, që po luftojnë me kohën, po shqyrtojnë mundësinë e jashtëzakonshme që zoti Biden të tërhiqet nga gara zgjedhore për të lëshuar rrugën një të emëruari të ri para kuvendit.

Të premten, përfaqesuesit Jared Huffman, Mark Veasey, Chuy Garci dhe Mark Pocan – që bashkarisht përfaqësojnë një grup të gjërë të Partisë Demokratike në Kongres – bën një thirrje të përbashkët për largimin e zotit Biden nga gara.

“Duhet ta mposhtim Donald Trumpin për të shpëtuar demokracinë tonë”, shkruan ata.

Në një shkrim të veçantë, përfaqësuesi Sean Casten i Illinoit shkroi se “me zemër të thyer dhe pas një reflektimi personal” ai, gjithashtu, i bëri thirrje zotit Biden “të bartë stafetën tek gjenerata e re”.

Zyrtarët e fushatës thanë se zoti Biden është edhe më i përkushtuar të qëndrojë në garë përkundër thirrjeve për t’u tërhequr. Sipas tyre, këshilltarët e lartë të presidentit në Shtëpinë e Bardhë nuk kanë patur biseda të brendshme me presidentin për largimin e tij nga gara.

Por ende mbetet kohë për ta rishikuar këtë qëndrim. Zotit Biden i është thënë që fushata po has në vështirësi të mbledhë fonde dhe se demokratët e rëndësishëm po shqyrtojnë mundësitë, ndërkohë që ai është i izoluar për shkak të COVID-19 dhe nuk po bën fushatë, për të nxitur largimin e tij. Disa pjesëtarë të kabinetit të tij kanë dyshime mbi aftësinë e zotit Biden për të fituar.

Sipas Associated Press, njoftimi për këtë lajm është bazuar pjesërisht në informacionin e dhënë nga rreth dhjetë persona, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes.

Obama, Pelosi mes demokratëve që i kërkojnë presidentit Biden të rishqyrtojë kandidimin

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-presidenti Barack Obama u ka shprehur demokratëve privatisht shqetësimin në lidhje me rikandidimin e Presidentit Joe Biden, sipas dy personave në dijeni të çështjes, që folën në kushte anonimiteti.

Po kështu edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e ka paralajmëruar privatisht zotin Biden, se demokratët rrezikojnë të mos e rimarrin kontrollin e kësaj dhome të Kongresit, nëse ai nuk largohet nga gara.

Sipas po të njëjtave burime, zonja Pelosi i kishte treguar gjithashtu zotit Biden të dhënat e një sondazhi që tregonte se ai me gjasë nuk mund të fitonte përballë republikanit Donald Trump.

Të shqetësuar rreth aftësisë së presidentit Joe Biden për të fituar zgjedhjet këtë nëntor, demokratët po e nxisin atë të rishqyrtojë çështjen e kandidimit, ndërsa ai po qëndron larg fushatës, për shkak të infektimit me COVID-19.

Publikisht dhe privatisht, demokratë me peshë po dërgojnë sinjale shqetësimi dhe disa shpresojnë se ai do t’i bëjë një rivlerësim të trajektores së garës dhe trashëgimisë së tij në drejtimin e vendit.

Në orët e vona të së enjtes, senatori nga Montana, Jon Tester, u bë senatori i dytë nga grupi demokrat në institucionin ku presidenti Biden shërbeu për katër dekada, që i bëri thirrje të tërhiqet nga kandidimi. Senatori Tester u shpreh nëpërmjet një deklarate: “mendoj se presidenti Biden nuk duhet të kërkojë rizgjedhjen për një tjetër mandat”.

Gjatë javës së kaluar, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, biseduan privatisht me presidentin, duke parashtruar pikëpamjet e demokratëve në Kongres, përfshirë shqetësimet e tyre.

Të mërkurën, ligjvënësi i Kalifornisë, Adam Schiff, një aleat i ngushtë i ish- kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u bë demokrati i profilit më të lartë në Dhomën e Përfaqësuesve, që i bëri thirrje zotit Biden të tërhiqet nga gara. Ai tha se ndërsa e di që ky vendim i përket vetëm presidentit Biden, ai beson se është koha që ai të “kalojë stafetën”.

Zoti Schiff është një demokrat me peshë, por qëndrimet e tij po tërheqin vëmendje për shkak të afërsisë së tij me zonjën Pelosi.

Por zoti Biden ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet, i bindur se ai është kandidati që mund ta mundë sërish ish-presidentin Donald Trump.

I pyetur mbi njoftimet se zoti Biden duket disi më i hapur ndaj idesë për t’u larguar nga gara, zëvendës menaxheri i fushatës së tij, Quentin Fulks tha të enjten se “ai nuk është lëkundur për asgjë”.

Ditët e fundit presidenti ka treguar edhe më shumë vendosmëri për të qëndruar në garë, sipas një personi tjetër në dijeni të çështjes, që foli në kushte anonomiteti.

Por ajo që duket se është thelbësore për demokratët në këto momente, është faktori koha.

Nëse ata po përgatiten seriozisht për hapin e jashtëzakonshëm të zëvendësimit të zotit Biden dhe kandidimin në vend të tij të nënpresidentes Kamala Harris, për postin e lartë të Shtëpisë së Bardhë, kjo fundjavë do të jetë e rëndësishme për t’i ndryshuar mendjen e presidentit, thanë të tjerë persona në dijeni të bisedave të kryera me dyer të mbyllura.

Ndërsa tensionet mbi aftësinë e zotit Biden për të fituar u qetësuan disi, kryesisht pas atentatit për vrasjen e zotit Trump dhe ndërsa në Miluoki po mbahej Kuvendi Kombëtar Republikan, demokratët e dinë se kanë kohë të kufizuar për të zgjidhur shqetësimin brenda partisë pas paraqitjes së dobët të zotit Biden, në debatin e parë presidencial.

Duhet të ndodhë “o tani o kurrë” tha njëri prej tyre, duke nënkuptuar se duhet të ndodhë përpara një takimi virtual të planifikuar për të emëruar zotin Biden si kandidat të partisë, që do të mbahet në javën e parë të gushtit, përpara Kuvendit Kombëtar Demokrat, që nis më 19 gusht në Çikago.

Sigurisht, shumë demokratë duan që zoti Biden të qëndrojë në garë. Dhe Komiteti Kombëtar Demokrat po vazhdon me planet për votimin virtual.

Të mërkurën në mbrëmje, rrjeti televiziv ‘ABC News’ dha detaje të reja rreth takimit privat të zotit Biden gjatë fundjavës me zotin Schumer në shtëpinë e presidentit në Dellauer.

Sipas njoftimit zoti Schumer i kishte thënë presidentit se do të ishte “më mirë për Partinë Demokrate dhe në të mirë të vendit, nëse ai tërhiqej”.

Një zëdhënës i zotit Schumer e quajti lajmin një spekulim të plotë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Andrew Bates tha se zoti Biden i kishte thënë zotit Schumer si dhe zotit Jeffries se “ai ishte i emëruari i partisë dhe se kishte në plan të fitonte e mezi priste të punonte me të dy, për të kaluar axhendën e tij 100 ditore, për të ndihmuar familjet amerikane”.

Por në mesin e demokratëve në mbarë vendin, gati dy të tretat thonë se zoti Biden duhet të largohet e të lejojë partinë e tij të emërojë një kandidat tjetër, sipas një sondazhi të ri të qendrës ‘NORC’ për Kërkime në Fushën e Çështjeve Publike si dhe agjencisë së lajmve ‘AP’. Kjo kundështon fort pretendimin e zotit Biden pas debatit se “demokratët e thjeshtë” vazhdonin ta mbështesnin atë edhe pse “emra të mëdhenj” të partisë i ishin kundërvënë.

Me reagimin e zotit Schiff, shkon në 20 numri i ligjvënësve demokratë në Kongres që i kanë bërë thirrje zotit Biden të tërhiqet nga gara presidenciale.

Në përgjigje të komenteve të zotit Schiff, zyrtarët e fushatës së zotit Biden vunë në dukje atë që e quajtën “mbështetje të gjerë” që gëzon presidenti për garën nga anëtarët e Kongresit në shtetet fushëbetejë, si dhe nga anëtarët afrikano-amerikanë e hispanikë të Kongresit.

Njoftimi i zotit Schiff erdhi pasi zoti Schumer dhe zoti Jeffries inkurajuan partinë që të shtyjë me një javë planet për të mbajtur votimin virtual për të emëruar zotin Biden si kandidat, gjë që mund të ndodhë të dielën, sipas dy personave që kanë dijeni mbi çështjen dhe folën në kushte anonimiteti.

Komisioni i rregullores i Komitetit Kombëtar Demokrat takohet të premten për të diskutuar se si do të funksionojë votimi virtual dhe për ta finalizuar çështjen javën e ardhshme.

“Ne nuk do të zbatojmë një proces votimi virtual të nxituar, por do të nisim një proces të rëndësishëm rishqyrtimi, se si do të funksiononte votimi virtual”, shkruhej në një letër të publikuar të mërkurën të peshkopit Leah D. Daughtry dhe guvernatorit të Minesotës Tim Walz, bashkëkryetarë të komisionit të rregullores në Kuvendin Kombëtar Demokrat.

Presidenti Biden infektohet me Covid-19

VOA/AP dhe Reuters

Presidenti amerikan Joe Biden u diagnostikua COVID-19 ndërsa ndodhej në një udhëtim në Las Vegas për të bërë fushatë të mërkurën dhe po përjeton simptoma të lehta, tha Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre njoftoi diagnozën demokratit 81-vjeçar pasi presidenti i “UnidosUS”, një organizatë latine për të drejtat civile, tha se zoti Biden nuk do të ishte në gjendje të fliste në një ngjarje të planifikuar për shkak të infektimit me Covid-19. Në vend të fjalimit para votuesve hispanikë, Presidenti Biden shkoi në Delauer, kur kishte planifikuar të kalonte fundjavën.

“Ai është i vaksinuar dhe po përjeton simptoma të buta”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre.

Diagnoza e Presidentit Biden përkon me Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane dhe thirrjet e demokratëve për largimin e tij nga gara për president.

Thirrjeve të 19 ligjvënësve demokratë për tërheqje të zotit Biden nga gara për presidenti iu shtua sot edhe ligjvënësi nga Kalifornia, Adam Shiff, i cili po kandidon për Senatin amerikan.

Shqetësimet e demokratëve mbi aftësitë e presidentit aktual 81 vjeçar për ta mposhtur rivalin republikan, apo nëse është në gjendje që të udhëheqë vendin për një mandat të dytë, u shtuan pas paraqitjes së dobët të zotit Biden në debatin e parë presidencial, të 27 qershorit.

Ish-presidenti Trump ndodhet aktualisht në Miluoki, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, disa ditë pasi ai i shpëtoi një atentati me armë, gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani.

J.D. Vance, kandidati për nënpresident, mban fjalimin në Kuvendin Kombëtar të Republikanëve

VOA/AP dhe Reuters

Kandidati i republikanëve për nënpresident, senatori J.D. Vance, në fjalimin e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane foli mbi fëmijërinë e tij në qytetin industrial Midëlltaun të Ohajos, dhe përpjekjet e tij për të mbështetur klasën punëtore.

Senatori 39 vjeçar nga Ohajo, gjatë fjalimit në Milluoki kritikoi politikat e Presidentit Joe Biden dhe Partisë Demokrate, duke thënë se vërshimi i produkteve kineze me çmime të ulta po dëmton fuqinë punëtore dhe klasën e mesme të Ohajos dhe shteteve fqinje si Miçigani, Viskonsi dhe Pensilvania. Këto janë shtete të rëndësishme për zgjedhjet presidenciale.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për udhëheqës që mbështesin kompanitë amerikane, si Ish Presidenti Donald Trump. Senatori Vance falenderoi zotin Trump, i cili ishte i pranishëm në sallën, ku po mbahet Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane, që e emëroi atë kanidat të tij për nënpresident, duke premtuar si ai do të punojë për avancuar axhendën e tij për ta bërë Amerikën sërish madhështore.

Në fjalimin e tij ai u përqëndrua edhe në kapërcimin sfidave të varfërisë gjatë fëmijërisë, shërbimin e tij në ushtrinë amerikane, studimet për juridik në Universitetin Yale dhe punën e tij si një sipërmarrës i suksesshëm. Ai gjithashtu kritikoi “politikanë të karrierës” si zoti Biden për politikat tregtare që kanë dëmtuar familjet amerikane.

“Unë jam rritur në Midëlltaun të Ohajos, një qytet i vogël ku njerëzit flisnin hapur, ndërtonin të ardhmen me duart e tyre dhe e donin Zotin, familjen, komunitetin dhe vendin e tyre me gjithë zemër”, tha ai. “Por ishte gjithashtu një vend që ishte injoruar dhe harruar nga klasa politike e Amerikës në Uashington.”

“Politikanët e karrierës” si Presidenti Joe Biden, tha zoti Vance, janë përgjegjës për politikat tregtare dhe luftërat e huaja që dëmtuan këto komunitete.

“Joe Biden ka qenë një politikan në Uashington për sa kohë që unë kam qenë gjallë”, tha zoti Vance. “Për gjysmë shekulli ai ka qenë një kampion i çdo nisme politike për ta bërë Amerikën më të dobët dhe më të varfër.”

“Në qytetet e vogla si Midëlltauni në Ohajo, ato në Pensilvaninë, apo në Miçigan, në shtetet anembanë vendit tonë, vendet e punës dërgoheshin jashtë shtetit dhe fëmijët e tyre dërgoheshin në luftë”, tha ai.

“Vizioni i Presidentit Trump është i thjeshtë – ne nuk do të kujdesemi për të pasurit në Wall Street, ne do të angazhohemi për njeriun që punon”, tha ai. “Ne nuk do të importojmë fuqi punëtore të huaj, do të luftojmë për qytetarët amerikanë”, tha ai.

Zoti Vance tha se Amerika ka nevojë për një udhëheqës që do të luftojë për rikthimin e fabrikave dhe prodhimit në vend.

Fjalimi i tij përfshiu shumë nga parimet thelbësore të platformës së zotit Trump, duke premtuar se do t’i jepte përparësi prodhimit vendas mbi importet kineze dhe duke paralajmëruar aleatët se nuk do të merrnin më “ndihmë falas” për të siguruar paqen botërore.

I zgjedhur në Senat rreth më pak se dy vite më parë, zoti Vance ka kundërshtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbrojtur përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Me një moshë sa gjysma e asaj të zotit Trump, zoti Vance mund të ushtrojë ndikim për dekada me radhë në Partinë Republikane.

Ai ka argumentuar se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar klasën punëtore duke kufizuar importet, rritur pagën minimale dhe goditur fitimet e korporatave. Këto qëndrime bien ndesh me qëndrimin tradicional pro-biznesit të Partisë Republikane, por janë në një linjë me axhendën e zotit Trump.

Kuvendi katër-ditor i republikanëve do të kulmojë me fjalimin e ish-presidentit Trump mbrëmjen e së enjtes, kur ai zyrtarisht do të pranojë emërimin nga partia për t’u përballur me zotin Biden, në një përballje të dytë, sikurse në të vitin 2020.


Send this to a friend