VOAL

VOAL

Trumpi: Largohem nëse Biden fiton Kolegjin Elektoral

Marrë nga Reuters

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë, nëse Kolegji Zgjedhor voton për Presidentin e zgjedhur Joe Biden.

Edhe pse ai përsëriti pretendimet e pabazuara për mashtrim masiv të votuesve, kjo deklaratë e sjell atë më afër pranimit të humbjes në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Duke folur para gazetarëve me rastin e festës së Falënderimeve, republikani Trump tha se nëse demokrati Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar, çertifikohet si fitues i zgjedhjeve nga Kolegji Elektoral, ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë.

Por zoti Trump shtoi se do të ishte e vështirë për të që të pranonte humbjen në rrethanat aktuale. Gjithashtu, ai nuk pranoi të thoshte nëse do të merrte pjesë në inaugurimin e zotit Biden.

“Këto zgjedhje ishin një mashtrim,” këmbënguli zoti Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa vazhdoi të mos ofronte prova konkrete për parregullsi masive në votime. Më herët ai foli përmes një videokonference me ushtarakët amerikane për t’u uruar festën.

Joe Biden i fitoi zgjedhjet me 306 vota të Kolegjit Elektoral, shumë më tepër sesa 270 që nevojiteshin, kundrejt 232 të fituara nga Presidenti Trump. Elektorët do të mblidhen më 14 dhjetor për të zyrtarizuar rezultatin. Zoti Biden mori gjithashtu 6 milion vota popullore më shumë sesa Zoti Trump.

Presidenti Trump deri tani ka refuzuar të pranojë plotësisht humbjen, megjithëse javën e kaluar, me presionin në rritje nga radhët e tij republikane, ai ra dakord të lejonte zyrtarisht ekipin e zotit Biden të fillonte procesin e tranzicionit.

I pyetur nëse do të largohej nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për zotin Biden, Presidenti Trump tha: “Sigurisht që do ta bëj. Padyshim që do ta bëj. Dhe ju e dini këtë”.

“Por unë mendoj se do të ketë shumë gjëra që do të ndodhin nga tani deri në 20 janar. Shumë gjëra,” tha ai. “Është gjetur mashtrim masiv. Jemi bërë si një vend i botës së tretë.”

Përpjekjet e dëshpëruara të zotit Trump dhe të ndihmësve të tij për të përmbysur rezultatet në shtetet kryesore, ose me procese gjyqësore ose me presion ndaj ligjvënësve të shtetit, kanë dështuar dhe alternativat e tij po shterrojnë.

Në Shtetet e Bashkuara, një kandidat bëhet president duke siguruar votat elektorale dhe jo duke fituar shumicën e votave popullore në shkallë vendi. Elektorët, të shpërndarë në 50 shtetet plus Distriktin e Kolumbias (Uashington DC), kryesisht në bazë të popullatës, janë besnikë të partive që i kanë zgjedhur dhe zotohen të mbështesin kandidatin që ka fituar votën popullore në shtetin e tyre.

Biden: Amerika nuk do ta humbë luftën me virusin

Në mesazhin me rastin e Ditës së Falenderimeve, Presidenti i zgjedhur Biden tha se vendi do ta kapërcejë pandeminë dhe u bëri thirrje amerikanëve të vazhdojnë betejën kundër koronavirusit.

Zoti Biden i bëri komentet në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të ndjeshme të infektimeve të reja dhe kur po shtohet pasiguria ushqimore për shumë amerikanë.

Joe Biden

Joe Biden

Presidenti i zgjedhur Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të dyfishojnë pëpjekjet dhe të vazhdojnë betejën kundër përhapjes së virusit.

“Mos u dorëzoni nga mërzija. E di që mundemi dhe që do ta mposhtim virusin. Amerika nuk do ta humbë këtë luftë,” tha zoti Biden.

Ish-nënpresidenti Biden e kaloi festën në qytezën bregdetare Rehoboth të shtetit Delauer, ku ai dhe bashkëshortja Jill kanë një shtëpi pushimi. Vajza e çiftit, Ashley Biden me bashkëshortin, e kaluan festën me ta.

Presidenti Trump zakonisht e ka kaluar këtë festë në shtëpinë e tij të pushimit në Mar-a-Lago, por këtë radhë qëndroi në Shtëpinë e Bardhë.

SHBA, rekord ditor infeksionesh me koronavirus

Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të viktimave si pasojë e koronavirusit që nga muaji maj. Rritje rekord pësoi dhe numri i infeksioneve të shënuara brenda një dite, rreth 200 mijë raste, shifra më e lartë ditore që prej fillimit të pandemisë.

Ndërkohë më shumë se 89 mijë persona janë shtruar në spital prej ditës së mërkurë, një tjetër shifër rekord që vjen mes shqetësimesh se dita e Falenderimeve do të çojë në rritje të infeksione ndërsa shumë njerëz nuk i kanë shmangur grumbullimet familjare me rastin e festës.

Zyrtarët në shumë shtete kanë vendosur kufizime për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

Gjykata e Lartë lëshoi një urdhër të përkohshëm që bllokon shtetin e Nju Jorkut të vendosë kufizime pjesëmarrjeje në objektet e kultit në ato zona ku është shënuar një rritje e rasteve me koronavirus.

Në një votim 5 me 4, gjykata mbështeti Dioqezën Katolike të Bruklinit dhe dy kongregacione Hebreje Ortodokse që sfiduan urdhrin e guvernatorit Andrew Cuomo. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts ishte i vetmi gjykatës konservator që nuk iu bashkua vendimit të shumicës.

Koreja e Jugut, një nga pikat e hershme të nxehta të pandemisë ndodhet gjithashtu në mesin e një rritjeje të re të rasteve, duke raportuar më shumë se 500 infeksione në ditë, për herë të parë që nga fillimi i marsit.

Rritja vjen pas një muaji që qeveria vendosi të lehtësojë kufizimet e rrepta për distancim fizik në Seul dhe në rajonet përreth.

Të enjten Rusia njoftoi një rritje rekord rastesh të shënuara brenda një dite me mbi 25 mijë infeksione, duke e çuar totalin e përgjithshëm në rreth 2.2 milionë. Numri i vdekjeve gjithashtu shënoi një shifër rekord, 524 vdekje brenda 24-orësh.

Në Gjermani u shënuan 400 viktima të reja duke e çuar numrin në më shumë se 15 mijë që nga fillimi i pandemisë.

Qeveria gjermane vendosi në fillim të nëntorit të mbyllë restorantet, baret dhe objektet sportive për të luftuar një rritje rekord të numrit të infeksioneve.

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e shteteve ranë dakord të mërkurën vonë në mbrëmje të zgjasin kufizimet deri më 20 dhjetor.

Në të gjithë botën që prej fillimit të pandemisë janë shënuar më shumë se 60.4 milionë të infektuar nga COVID-19 dhe 1.4 milionë viktima. Shtetet e Bashkuara kanë nurmin më të lartë të viktimave, pasuar nga Brazili me 170 mijë, India me 135 mijë dhe Meksika me 103 mijë të vdekur.

zëri i amerikës

Trumpi fal ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn

Presidenti Trump shpalli falje të plotë për këshilltarin e tij të parë të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, të cilit iu desh të përballej me një betejë të gjatë ligjore me prokurorët federalë, si rrjedhojë e hetimit për çështjen e Rusisë.

Presidenti Trump e njoftoi lajmin në Twitter në prag të festës së Falënderimeve.

“Është nderi im i madh të njoftoj se Gjeneralit Michael T. Flynn i është dhënë Falje e Plotë. Urime@GenFlynn dhe familjes së tij të mrekullueshme; e di që tani ju do të kaloni një festë Falënderimesh vërtet fantastike!” shkruante ai.

Falja i jep fund një odiseje të gjatë ligjore për zotin Flynn, i vetmi anëtar i administratës Trump ndaj të cilit u ngritën akuza si pjesë e hetimit për Rusinë, të kryer nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

Ai pranoi fajësinë në vitin 2017, për akuzat se kishte gënjyer FBI-në rreth kontakteve të tij me ambasadorin rus në Uashington.

Flynn ishte ndër ndihmësit e parë të presidentit që pranoi fajin në hetimin e prokurorit Mueller dhe për muaj të tërë ai bashkëpunoi mjaft me prokurorët. Bashkëpunimi ishte aq i gjerë saqë prokurorët nuk rekomanduan burgim dhe lanë të kuptohej se do të ishin të kënaqur me një lirim me kusht.

Më vonë, Flynn ndërroi avokatë dhe taktikë, duke argumentuar se prokurorët e çështjes e kishin futur në kurth dhe e kishin bërë të gënjente në lidhje me bisedat që kishte patur në dhjetor 2016 me ambasadorin rus Sergei Kislyak.

Departamenti i Drejtësisë ka mohuar në mënyrë të përsëritur aludimet për gabime të prokurorisë. Në dhjetor 2019, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut Emmet Sullivan i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e zotit Flynn.

Në janar të këtij viti, prokurorët federalë i kërkuan gjyqtarit ta dënonte zotin Flynn me deri në gjashtë muaj burg, duke argumentuar se: “I pandehuri nuk ka nxjerrë mësime. Ai është sjellë sikur ligji të mos kishte vlerë për të dhe sikur veprimet e tij të mos kishin ndonjë pasojë”.

Flynn ka qenë gjithashtu kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në Pentagon, por u detyrua të largohej në vitin 2014 pjesërisht për shkak të stilit të tij të menaxhimit dhe opinioneve se si duhej luftuar militantizmi islamik.

Ai iu bashkua fushatës zgjedhore të zotit Trump në vitin 2016. Në Kuvendin Kombëtar Republikan të atij viti, ai nxiti mbështetësit e zotit Trump të brohorisnin me thirrjet “Burgoseni!”, duke iu referuar kandidates demokrate Hillary Clinton.

Ish-ndihmës të tjerë të zotit Trump u dënuan për krime federale pas hetimit për Rusinë.

Miku dhe këshilltari i tij i vjetër Roger Stone u dënua në 20 shkurt me tre vjet e katër muaj burg për pengim të drejtësisë, manipulim të dëshmitarëve dhe mashtrim të ligjvënësve që hetonin ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s. Në korrik 2020, Presidenti Trump e reduktoi dënimin e tij.

Paul Manafort, ish-kryetar i fushatës së zotit Trump, u dënua vitin e kaluar me 3,5 vjet burg, pasi u shpall fajtor për lobim të paligjshëm dhe manipulim të dëshmitarëve. Kjo, së bashku me fajësinë për një çështje tjetër, e çonte dënimin e tij të përgjithshëm në më shumë se 7 vjet.

Falja e zotit Flynn pritet të dënohet nga kritikët, të cilët kanë thënë se veprimet e Presidentit Trump për të ndihmuar miqtë e tij, janë ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Krerët demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve e dënuan faljen.

Qysh në muajin mars, Presidenti Trump tha se po shqyrtonte fuqimisht mundësinë e një faljeje të plotë për zotin Flynn. Ai tha se FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë ia kishin “shkatërruar” jetën zotit Flynn dhe familjes së tij dhe përmendi një raport të paspecifikuar, të pabazuar në fakte se zyrtarët kishin humbur disa dokumente që lidheshin me ish-këshilltarin e tij.

Vendimi i sotëm gjithashtu hap derën për falje të mundshme të ish-këshilltarëve të tjerë të zotit Trump që u paditën si pjesë e hetimit për Rusinë, përfshirë ish-kreun e fushatës së tij, Manafort.

Donald Trump pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, kur frenat e pushtetit t’i kalojnë Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

zëri i amerikës

Raportohet se Trumpi synon ta falë ish-këshilltarin Michael Flynn

Ish-Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Micheal Flynn.

Presidenti amerikan, Donald Trump synon të shfrytëzojë mundësinë e faljes së ish-Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Micheal Flynn, i cili është deklaruar fajtor më 2017 për gënjim të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) rreth kontakteve të tij me rusët, kanë raportuar mediat amerikane.

Trump u ka thënë ndihmësve të tij se planifikon të shtojë Flynnin në një seri të faljeve që do t’i bëjë publike pak ditë para përfundimit të mandatit, kanë raportuar mediat si Axios dhe New York Times, duke cituar burime të paidentifikuara.

Bisedimet sekrete të Flynnit me ambasadorin rus në Uashington në dhjetor të vitit 2016, kanë qenë pikë kyçe e hetimeve për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe rreth asaj nëse ka pasur koordinim në mes të fushatës së Trumpit dhe Qeverise ruse në zgjedhje.

Trump pati shkarkuar Flynnin në shkurt të vitit 2017, mirëpo presidenti ka pretenduar se hetimet kanë qenë “gjueti shtrigash” politike dhe se Flynn është “burrë i mirë”.

Flynn, general ushtarak i pensionuar dhe ish-udhëheqës i Agjencisë për Inteligjencë në Mbrojtje, është deklaruar fajtor dy herë për gënjim të FBI-së për bisedat që ka pasur me ambasadorin rus në SHBA, gjatë tranzicionit presidencial në fund të vitit 2016 dhe të fillim të vitit pasues.

Mirëpo ai ka synuar të tërheqë deklaratën e tij, duke thënë se prokurorët i kanë shkelur të drejtat dhe e kanë shtyrë drejt një marrëveshjeje pranimi.

Përmes një veprimi befasues, në maj të këtij viti Departamenti amerikan i Drejtësisë ka tërhequr rastin kundër Flynnit, duke thënë se gënjeshtrat e supozuara drejt FBI-së, nuk kanë qenë të rëndësishme.

Mirëpo një gjyqtar federal që ka shqyrtuar rastin e Flynnit ka kërkuar kërkim më të thellë gjyqësor lidhur me këtë çështje.

Një falje eventuale nga ana e Trumpit do ta largonte këtë rast nga gjykatat. rel

Biden: Amerika, gati të udhëheqë botën

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur Joe Biden deklaroi të martën se SHBA është “gati të udhëheqë botën, jo të tërhiqet prej saj,” duke sinjalizuar një kthesë të fortë nga strategjia “Amerika në plan të parë” e ndjekur nga Presidenti Trump gjatë katër vjetëve të fundit.

Ndërkohë që përgatitet të marrë udhëheqjen e vendit më 20 janar, zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë “gati të përballen me kundërshtarët, jo të flakin aleatët. Jemi gati të ngremë zërin në mbështetje të vlerave tona”.

Nga qendra ku drejton punën e tranzicionit në Uillmington të shtetit Delauer, presidenti i zgjedhur prezantoi ekipin e tij të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare.

“Këta individë mishërojnë bindjen time esenciale se Amerika është më e fortë kur punon me aleatët e saj,” tha ai. “Në këtë mënyrë do ta mbajmë Amerikën vërtetë të sigurtë, pa u angazhuar në konflikte të armatosura të panevojshme dhe do të mbajmë nën kontroll kundërshtarët tanë si dhe terroristët”.

Individët e zgjedhur për poste të larta, sidomos sekretari i ardhshëm i shtetit, Antony Blinken, kanë një botëkuptim globalist, të ndryshëm nga administrata Trump.

Nën administratën e Presidentit Trump, SHBA shpesh u gjend në pozita jo të përputhshme me aleatët tradicionalë perëndimorë, ndërkohë që zoti Trump dukej se preferonte një qëndrim më të butë ndaj udhëheqësve autokratë si Presidenti rus Putin, Presidenti turk Erdogan dhe udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong Un.

Zoti Biden tha: “Amerika udhëheq jo vetëm me fuqinë e saj, por me fuqinë e shembullit të saj”.

Ai tha se zyrtarët që ka zgjedhur “jo vetëm që do të ndreqin, por do t’i japin formë të re politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare për brezin e ardhshëm. Ata do të më thonë atë që është e nevojshme të di, jo ato që dua të di unë”.

Politika e jashtme amerikane nën administratën Biden ka të ngjarë të përqendrohet në një qasje shumëpalëshe dhe diplomatike që synon të riparojë marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë dhe të ndjekë rrugë të reja për çështje të tilla si ndryshimi i klimës.

Zoti Biden tha se ishte befasuar nga telefonatat me udhëheqësit botërorë për faktin “se sa me padurim po presin ata që Shtetet e Bashkuara të afirmojnë rolin e tyre historik si udhëheqës global kudo në Paqësor, Atlantik dhe në të gjithë botën.”

Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Zotin Biden dhe me Zëvendës Presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.

Antony Blinken

Antony Blinken

Zoti Antony Blinken ka lidhje të ngushta me Presidentin e zgjedhur Biden. Ai ka shërbyer në role të nivelit të lartë të sigurisë kombëtare kur zoti Biden ishte nënpresident gjatë administratës Obama.

Zoti Biden tha se përzgjedhja nga e tij e zotit Antony Blinken, do të rikthejë moralin dhe besimin në Departamentin e Shtetit, që përgjigjet për marrëdhëniet diplomatike të vendit.

Ndër emërimet e tjera për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, si ambasadore amerikane në OKB dhe Jake Sullivan si këshilltar i sigurimit kombëtar. Zonja Thomas-Greenfield, afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama.

Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.

Avril Haines u emërua drejtore e inteligjencës kombëtare, gruaja e parë që do të shërbente në një rol të tillë. Ajo ka qenë nëndrejtore e CIA-s nga viti 2013 në 2015 dhe gjithashtu zv / këshilltare e sigurimit kombëtar.

Janet Yellen, ish kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit.

Janet Yellen

Janet Yellen

Megjithëse nuk janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar zotin Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës, pasi lindën antagonizma nga politika e Presidentit Trump “Amerika, e Para”. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden është zotuar ta rikthejë vendin në marrëveshjen bërthamore me Iranin, nëse Teherani rifillon respektimin e termave; rikthim në Paktin e Parisit për klimën; anulimin e planeve për daljen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe anulimin e rregullores ekzistuese që nuk lejon mbështetjen me fonde federale të grupeve bamirëse që diskutojnë abortin. Këto masa do të anulonin politika të administratës Trump dhe disa prej tyre pritet të hyjnë në fuqi shumë shpejt pas inaugurimit të residentit të ardhshëm më 20 janar.

Në fjalën e tij të martën, presidenti i zgjedhur Biden u bëri thirrje senatorëve të konfirmonin të emëruarit e tij mbi një bazë dy-partiake, një njohje e nënkuptuar kjo e pengesave që Senati, i kontrolluar nga republikanët, mund t’i nxjerrë administratës së tij.

Presidenti i zgjedhur ndau vizionin e tij për një politikë të jashtme të bazuar mbi një rol udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në botë dhe mbi forcimin e aleancave në rajonin Azi-Paqësorit.

“Diplomat mes Diplomatësh”

Zoti Blinken, 58 vjeçar, ka ngritur prej kohësh nevojën që SHBA të marrë një rol udhëheqës në botë, duke komunikuar e bashkëpunuar me aleatët, përndryshe atë rol do ta marrin vende si Kina, që kanë interesa krejt ndryshe.

“Megjithëse mund të duket si barrë nganjëherë, alternativa, për sa u përket interesave dhe jetëve të amerikanëve, do të ishte shumë më e keqe,” tha zoti Blinken në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters në tetor.

I pyetur nëse SHBA mund të dëshmojë përmirësim me zotin Blinken në postin e sekretarit të shtetit, në vend të zotit Mike Pompeo, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian e anashkaloi pyetjen duke thënë se nuk komenton për çështje të brendshme amerikane. Ai nënvizoi se Kina është e gatshme për përmirësim në komunikimin me SHBA.

Zoti Blinken nënvizoi se Kina ishte e gatshme të përmirësonte komunikimin, të forconte bashkëpunimin dhe të adresonte mospajtimet me SHBA.

Persona që e kanë njohur nga afër zotin Blinken, e quajnë “diplomat mes diplomatësh”, me një të folur të qetë, por me njohuri të forta mbi praktikat e detajet e politikës së jashtme.

Pasi kandidatja demokrate Hillary Clinton humbi zgjedhjet presidenciale në 2016, zoti Blinken ishte një ndër themeluesit e grupit konsulent WestExec Advisors që ofron këshilla mbi rreziqet gjeopolitike.

Zoti Blinken, i diplomuar si jurist, hyri në politikë në vitet 1980, duke ndihmuar për grumbullim fondesh kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Michael Dukakis. Ai ishte një ndër ekspertët për përgatitjen e fjalimeve të ish-presidentit Bill Clinton si dhe më pas një ndër këshilltarët për sigurinë kombëtare. Gjatë administratës Obama, ai punoi për të kufizuar numrin e trupave amerikane të dislokuara në pjesën më të madhe të misioneve jashtë vendit.

Gjatë fushatës së zotit Biden, ai ka qenë një ndër këshilltarët e tij më të ngushtë, edhe për tema përtej politikës së jashtme. Ai njihet si person i besuar i zotit Biden, pasi ka punuar me të që në përpjekjet e tij të pasuksesshme për të konkurruar për president në 2008. Në fillim të mandatit të zotit Biden si nënpresident, Antony Biden punoi si këshilltar i tij për sigurinë kombëtare dhe si drejtor i stafit për Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë gjatë kohës që zoti Biden ishte kryetar i këtij komisioni.

Jake Sullivan

Jake Sullivan

Jake Sullivan ka punuar më parë si këshilltar i zotit Biden për sigurinë kombëtare, gjatë kohës kur ai ishte nënpresident. 43-vjeçari që është diplomuar në universitetin Yale, ka qenë po ashtu pjesëmarrës në programin prestigjoz Rhodes në Universitetin e Oksfordit dhe ka marrë emër se di të zgjidhë punë prapa skenave. Zoti Sullivan ishte pjesë e bisedimeve përmes kanaleve jozyrtare dhe manovrave që çuan në marrëvreshjen e vitit 2015 me Iranin, e cila u anulua nga Presidenti Trump.

Zoti Sullivan kishte në portofolin e tij një numër temash të politikës së jashtme e të brendshme, përfshirë probleme të shëndetit publik dhe përgjigjen ndaj goditjes së ekonomisë nga pandemia dhe u bë shumë shpejt pjesë e ekipit të tranzicionit për presidentin e zgjedhur Biden.

SHBA: I hapet rruga tranzicionit presidencial

Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti i zgjedhur Joe Biden nisi sot një fazë të re në tranzicionin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë pasi administrata Trump i lejoi atij qasje në fonde dhe burime të tjera që do t’i mundësojnë të marrë frenat e pushtetit në janar.

Njoftimi i Administratës së Shërbimeve Qeveritare të hënën mbrëma se do të njihte zyrtarisht tranzicionin e zotit Biden erdhi pas pretendimeve të pambështetura në fakte, të bëra nga Presidenti Trump, se në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte patur mashtrim në shkallë të gjerë.

Në një postim në Twitter, Presidenti Trump ofroi mbështetje për fillimin e tranzicionit të pushtetit.

Kritikët kanë thënë se refuzimi i tij për të pranuar rezultatet minon demokracinë si dhe aftësinë e administratës së re për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

Dy zyrtarë të administratës Trump thanë se ekipet e zotit Biden mund të fillojnë të komunikojnë me zyrtarët e agjencive qeveritare, duke filluar që nga e marta.

Një zëdhënëse e Pentagonit, tha se Departamenti i Mbrojtjes ishte kontaktuar nga ekipi Biden-Harris.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, zoti Biden mori 306 vota elektorale kundrejt 232 të marra nga Presidenti Trump. Ai siguroi gjithashtu një epërsi prej më shumë se 6 milion votash popullore në shkallë vendi.

Trump jep dritën e gjelbër

Presidenti Donald Trump tha të hënën se kishte udhëzuar administratoren e agjencisë federale të Shteteve të Bashkuara që është e ngarkuar me procesin e tranzicionit, që “të bëjë atë që duhet bërë”, megjithëse shtoi se ai do t’i vazhdonte sfidat ligjore.

Me zhvillimet e fundit, përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, që kishin pësuar disa disfata, duket se po i afrohen përfundimit.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se administratorja e GSA-së Emily Murphy dhe ekipi i saj duhet “të bëjnë atë që duhet bërë në lidhje me protokollet fillestare dhe i kam thënë ekipit tim të bëjë të njëjtën gjë”.

Dhënia e autorizimit nga GSA do të thotë që ekipi i zotit Biden tani do të ketë fonde federale dhe një zyrë për të kryer tranzicionin gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Unë e marr seriozisht këtë rol dhe, për shkak të zhvillimeve të fundit që përfshijnë sfida ligjore dhe vërtetime të rezultateve të zgjedhjeve, po e dërgoj këtë letër sot për t’i bërë ato burime dhe shërbime të disponueshme për ju,” shkruante në letrën për presidentin e zgjedhur, Biden, administratorja e GSA-së, Murphy.

Megjithëse në Twitter, Presidenti Trump shkruante se i kishte rekomanduar zonjës Murphy të fillonte tranzicionin, ajo vetë shkruante në një letër për agjencinë e saj, se vendimi ishte “vetëm i saji”.

Më parë GSA kishte thënë se zonja Murphy, një e emëruar nga zoti Trump në vitin 2017, do të “konfirmonte” ose do të miratonte zyrtarisht, tranzicionin kur fituesi të ishte i qartë.

“Përkundër raporteve të medias dhe sugjerimeve, vendimi im nuk u mor nga frika ose favoritizmi”, shkruante zonja Murphy.

Akti Presidencial për Tranzicionin i vitit 1963 nuk parashikon ndonjë afat të prerë brenda së cilit duhet të veprojë GSA, por agjencia ka vepruar historikisht pasi organizatat e medias parashikojnë fituesin, gjë që ndodhi më 7 nëntor.

Reagimet e republikanëve

Të hënën senatori nga Tenesi, Lamar Alexander që është në përfundim të mandatit dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për fillimin e tranzicionit, lëshoi një deklaratë të re duke thënë që zoti Trump duhej “të vinte vendin para së gjithash” dhe të ndihmonte administratën e zotit Biden të ketë sukses.

“Kur ke një jetë publike, njerëzit mbajnë mend veprimin e fundit që ndërmerr”, tha ai.

Senatori Republikan Rob Portman nga Ohajo i bëri thirrje të hënën Administratorse së Shërbimeve të Përgjithshme që të vinte në dispozicion paratë dhe personelin e nevojshëm për tranzicionin. Senatori Portman, një nga anëtarët kryesorë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe atij për Çështjet Qeveritare në Senat, tha gjithashtu se zoti Biden duhet të marrë informacione të nivelit të lartë mbi sigurinë kombëtare dhe planin e shpërndarjes së vaksinës për koronavirusin.

Senatorët Alexander dhe Portman, të cilët të dy kanë mbështetur zotin Trump, iu bashkuan një numri në rritje të zyrtarëve republikanë të cilët ditët e fundit i kishin kërkuar PresidentitTrump që të fillonte tranzicionin menjëherë.

Senatorja republikane Shelley Moore Capito e Virxhinias Perëndimore gjithashtu bëri thirrje për një tranzicion të qetë, duke thënë në një deklaratë të hënën se “në një moment të caktuar, zgjedhjet e vitit 2020 duhet të përfundojnë.”

Ndërkohë më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare – përfshirë ish-Drejtorin e Sigurisë Kombëtare Tom Ridge, ish-Drejtorin e CIA-s Michael Hayden dhe ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Negroponte – thanë në një deklaratë se refuzimi i zotir Trump për të pranuar dhe lejuar një tranzicion të rregullt”, përbën një kërcënim serioz” për procesin demokratik të Amerikës. Zyrtarët që nënshkruan letrën kanë shërbyer për katër presidentë republikanë, përfshirë zotin Trump.

Deklarata u bëri thirrje “Udhëheqësve Republikanë – veçanërisht atyre në Kongres – të kërkojnë publikisht që Presidenti Trump të pushojë sulmin e tij anti-demokratik ndaj integritetit të zgjedhjeve presidenciale.”

Ish-zyrtarë republikanë, thirrje partisë për presion ndaj presidentit

Marrë nga Reuters

Më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare u kërkuan të hënën udhëheqësve të partisë të dënojnë refuzimin e Presidentit Trump për të pranuar humbjen në zgjedhje. Ata e cilësuan këtë qëndrim si sulm të rrezikshëm dhe anti-demokratik ndaj institucioneve amerikane.

Një grup i përbërë me disa nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare në administratat republikane të ish-presidentëve Ronald Reagan, George H.W. Bush, George W. Bush dhe Donald Trump, kritikuan dështimin e pjesës më të madhe të ligjvënësve republikanë për të njohur si fitues të zgjedhjeve demokratin Joe Biden.

Grupi, i njohur me emrin “Ish-Zyrtarë Republikanë të Sigurisë Kombëtare për Bidenin”, i formuar në gusht, i cili ka bërë fushatë kundër zotit Trump, u shpreh në një letër të hapur me kritika më të forta në adresë të udhëheqjes republikane në Kongres.

Pjesa më e madhe e republikanëve kanë qëndruar të heshtur, ndërkohë që Presidenti Trump nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve, duke ngritur pretendime të pambështetura në fakte për mashtrime të përhapura. Ekipi ligjor i presidentit ka ngritur një numër padish gjyqësore për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve që ka nxjerrë fitues zotin Biden.

“Duke inkurajuar taktikat e vonesave të presidentit, ose duke qëndruar të heshtur, udhëheqësit republikanë vënë në rrezik demokracinë amerikane dhe sigurinë kombëtare të vendit,” thuhet në letër.

Pjesëtarët e grupit përfshijnë Gjeneralin në pension, Michael Hayden, i cili ka qenë drejtor i CIA-s; William Webster, i vetmi zyrtar që ka qenë në krye të CIA-s dhe FBI-së; si dhe John Negroponte, drejtori i parë i shërbimeve kombëtare të zbulimit.

Zoti Biden ka siguruar 306 vota elektorale, ndërsa Presidenti Trump ka marrrë 232 vota elektorale. Zoti Biden po ashtu kryeson në votën popullore me një diferencë prej më shumë se 6 milionë votash krahasuar me presidentin.

zëri i amerikës

Antony Blinken pritet të emërohet Sekretar amerikan i Shtetit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden pritet të zgjedhë këshilltarin e tij dhe diplomatin veteran, Antony Blinken si Sekretar Shteti, kanë raportuar një mori mediash amerikane më 22 nëntor.

Nëse nominohet dhe konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët.

Biden do ta bëjë këtë njoftim më 24 nëntor, teksa do të publikojë emrat e parë në kabinetin e tij.

Jake Sullivan, ndihmës i ngushtë i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, pritet të emërohet Këshilltar për Siguri Kombëtare i Bidenit.

Emërimi i Blinkenit, që është raportuar fillmisht nga Bloomberg dhe më vonë është konfirmuar edhe nga media tjera, vjen teksa Biden vazhdon të zgjerojë administratën e tij, pavarësisht tentimeve të Trumpit për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Ish-nënpresidenti amerikan është zotuar se do të nisë presidencën më 20 janar, teksa kombi amerikan përballet me pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar nga ajo.

Pasi të marrë pozitën e presidentit, Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Me Blinkenin në krye të diplomacisë amerikane, administata Biden do të synojë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët dhe të menaxhojë marrëdhëniet tejet të tensionuara me Kinën. rel

Biden njofton të martën anëtarët e parë të Kabinetit të tij

Ken Bredemeier

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka në plan të emërojë anëtarët e parë të kabinetit të tij të martën, tha një prej ndihmësve të tij kryesorë të dielën edhe pse Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje republikanëve ta ndihmojnë atë në përpjekjen e tij ligjore për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Në një intervistë për rrjetin televiziv ABC, Ron Klain, i cili do të shërbejë si shef i kabinetit i zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë, nuk pranoi të thotë se drejtuesit e cilave agjenci pritet të caktojë zoti Biden. Por presidenti i zgjedhur tha javën e kaluar se kishte marrë vendim rreth sekretarit të ri të Thesarit dhe se përzgjedhja e tij përfaqësonte “të gjithë elementët e Partisë Demokrate, nga ato progresiste tek ato të moderuara”. Ndërsa zoti Biden pritet të bëhet presidenti i 46-të i vendit me inaugurimin e tij më 20 janar, zoti Trump ka refuzuar të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Të dielën, udhëheqësi në largim i SHBA-së shkruante për ndjekësit të tij në Twitter se: “ne do të gjejmë një numër masiv votash të manipuluara… Republikanë, luftoni me forcë”.

Por lufta ligjore e zotit Trump ka qenë e pafrytshme deri më tani. Zyrtarët e fushatës së tij kanë humbur ose janë tërhequr nga 34 procese gjyqësore ku ngrinin pretendime për manipulim me votat si dhe gjatë procesit të numërimit në shtetet kyçe, në të cilat ishte parashikuar të fitonte zoti Biden. Zoti Trump nuk ka arritur të ndryshojë rezultatin në asnjë shtet, duke lënë të paprekur shumicën e votave elektorale ende jozyrtare të fituara nga zoti Biden, gjithsej 306, kundrejt 232 që ka fituar zoti Trump.

Humbja më e fundit ligjore e zotit Trump lidhej me garën në Pensilvani, Zoti Biden fitoi 20 votat elektorale të këtij shteti me një diferencë prej 81,000 votash. Pasi u njoftua vendimi, një mbështetës kryesor republikan i zotit Trump në këtë shtet, senatori Pat Toomey, nxiti zotin Trump të pranonte humbjen në zgjedhje.

Pas një rinumërimi me dorë të 5 milionë votave, shteti i Xhorxhias çertifikoi të premten fitoren e zotit Biden, ndërsa Pensilvania dhe shteti i Miçiganit mund të bëjnë të njëjtën gjë të hënën. Ndërkohë zyrtarët e fushatës së zotit Trump kanë kërkuar një tjetër rinumërim votash në Xhorxhia.

Pavarësisht dështimit të disa padive ligjore, zoti Trump ka refuzuar të autorizojë administratën e tij për të bashkëpunuar me zotin Biden për kalimin e pushtetit.

Zoti Klain kritikoi drejtuesen e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme, Emily Murphy, e cila është emëruar nga zoti Trump, për refuzimin deri më tani siç tha ai, për të njohur zotin Biden si fituesin e këtyre zgjedhjeve. Një gjë e tillë do të mundësonte që fondet federale të viheshin në dispozicion për transferimin e kontrollit të qeverisë. “Shpresoj që administratorja e GSA-së të bëjë punën e saj”, tha zoti Klain, duke iu referuar zonjës Murphy.

Ai tha se përpjekjet e presidentit republikan për të përmbysur rezultatet ishin të turpshme “dhe anti-demokratike”.

Një numër rekord amerikanësh refuzuan presidencën e Trumpit dhe që nga ajo kohë Donald Trumpi ka refuzuar demokracinë“, tha zoti Klain.

Ai shtoi se me rritjen e rasteve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, inaugurimi i zotit Biden do të jetë ngjarje më e vogël krahasuar me atë që zhvillohet tradicionalisht, një ngjarje e madhe në shkallët e Kongresit, pasuar nga një drekë me ligjvënësit kryesorë, një paradë që nis në bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë si dhe një mbrëmje gala. Por ai tha se planet nuk janë finalizuar ende.

Do të festojmë, por thjeshtë duam ta bëjmë atë në një mënyrë të sigurt“, tha ai.

Pensilvani, gjyqtari federal hedh poshtë padinë e Presidentit Trump për zgjedhjet

Përpjekjet e Presidentit amerikan Donald Trump për të përmbysur rezultattin e zgjedhjeve të 3 nëntorit morën një tjetër goditje të shtunën kur një gjyqtar federal hodhi poshtë një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e tij që kërkonte të zhvlerësonte miliona vota të hedhura me postë në Pensilvani.

Gjyqtari Matthew Brann deklaroi se ekipi i Presidentit Trump nuk kishte arritur të provonte se kishte pasur manipulim në shkallë të gjerë me votat në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Trump i humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

“Kësaj gjykate i janë paraqitur argumente ligjore pa bazë dhe me akuza spekulative,” shkroi gjyqtari në vendimin e tij.

Ai shtoi se (Trump) “nuk ka asnjë autoritet t’i heqë të drejtën e votës qoftë edhe një personi të vetëm, pa folur pastaj për miliona qytetarë”.

Në padinë gjyqësore, të drejtuar nga avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani, bëhej përpjekje për të ndaluar zyrtarët të çertifikonin fitoren e zotit Biden në Pensilvani, me argumentin se disa qarqe gabimisht i kishin lejuar votuesit të ndreqinin gabimet në fletët e tyre të votimit.

Avokati i Presidentit Trump, Rudi Giuliani

Avokati i Presidentit Trump, Rudi Giuliani

Kjo ishte më e bujshmja ndër dhjetëra paditë gjyqësore të ngritura nga Presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë pas zgjedhjeve. Ata po përpiqen gjithashtu të zhvlerësojnë ose ndryshojnë rezultatet përmes rinumërimeve dhe trysnisë së drejtpërdrejtë mbi ligjvënësit në disa shtete.

Fushata e Presidentit Trump ka dy ditë afat për të kërkuar një rinumërim në shtetin Xhorxhia, ku zyrtarët çertifikuan të premten zotin Biden si fitues, pas një verifikimi me dorë të çdo vote. Ekipi ligjor i zotit Trump ka thënë se planifikon një proces gjyqësor në këtë shtet, por nuk ka dhënë hollësi.

Miçigan, trysni për të shtyrë çertifikimin e rezultatit zgjedhor

Komiteti Kombëtar Republikan dhe Partia Republikane e Miçiganit i kërkuan me anë të një letre bordit shtetëror të zgjedhjeve në Miçigan ta shtyjë procesin e çertifikimit 14 ditë për të lejuar një kontroll të fletëve të votimit në qarkun më të madh të këtij shteti.

Letra vjen ndërkohë që Qarku Uejn, i cili përfshin qytetin me shumicë afrikano-amerikane të Detroitit, është bërë një qendër e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit në shtetet që ishin vendimtare në humbjen e tij përballë demokratit Joe Biden.

Dy republikanë në bordin e këshillit zgjedhor të qarkut u përpoqën ta tërheqin votën e tyre në favor të çertifikimit të rezultateve të këtij qarku, pas një thirrjeje telefonike që morën nga vetë Presidenti Trump. Sekretarja e Shtetit e Miçiganit, demokratja Jocelyn Benson, tha se çertifikimi nuk mund të ndryshohet.

Bordi shtetëror, i cili përfshin dy demokratë dhe dy republikanë, do të mblidhet të hënën për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe do të ketë deri në 20 ditë afat për ta bërë këtë.

Letra bën thirrje për një “kontroll të plotë dhe transparent” në qarkun Uejn, duke përmendur “anomali të shumta dhe raporte të besueshme për parregullsi procedurale” akuza të ngritura nga një kandidat republikan që humbi vendin në senat.

Zyra e Sekretares së Shtetit rekomandoi të premten që bordi i shtetit të çertifikonte rezultatet, të cilat e nxjerrin zotin Biden fitues në Miçigan me 154,187 vota më shumë.

Miçigan, numërimi i votave

Miçigan, numërimi i votave

Ajo tha se kishte gabime të vogla në numërim dhe në raportim, por se ato ishin “gabime tipike njerëzore, të ngjashme me ato që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara” pa ndikim në rezultatet.

I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të Miçiganit vuri në dukje se ligji i shtetit nuk lejon auditim votash para çertifikimit dhe tha: “Gjyqtarët e emëruar si nga republikanët ashtu edhe demokratët kanë gjetur se pretendimet për mashtrim zgjedhor masiv janë krejtësisht të pabaza.”

Disa grupe kanë paraqitur kundërshtime, duke thënë se do të ndërmarrin veprimet e tyre ligjore.

Të premten, një grup votuesish afrikano-amerikanë në Detroit dhe një organizatë për të drejtat e votimit ngritën padi në gjykatën federale duke akuzuar Presidentin Trump dhe fushatën e tij për shkeljen e Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965.

Aty thuhet se ekipi i Presidentit Trump pretendon në mënyrë të rreme për manipulim votash dhe po përpiqet ta përmbysë rezultatin në Miçigan dhe në shtete të tjera me presione ndaj zyrtarëve për të mos çertifikuar rezultatin ose për të zgjedhur elektorë pro zotit Trump.

“Për të realizuar këtë strategji, të pandehurit po kërkojnë hapur t’u heqin votuesve afrikano-amerikanë të drejtën e votë,” thuhej në padi. Më shumë se 78% e banorëve të Detroitit janë afrikano-amerikanë, sipas të dhënave amerikane të regjistrimit të popullsisë.

Disa avokatë në Detroit gjithashtu i kanë kërkuar një gjykatësi të qortojë fushatën e zotit Trump për përhapjen e “dezinformimit”.

Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet presidenciale i fiton ai kandidat që arrin të sigurojë të paktën 270 vota të Kolegjit Elektoral me 538 anëtarë. Kjo përcaktohet nga vota popullore në çdo shtet. Zoti Biden fitoi në Miçigan me më shumë se 150,000 vota dhe duket se i ka siguruar të 16 votat elektorale në këtë shtet.

Ligjvënësit nga Miçigani në Shtpinë e Bardhë

Ligjvënësit nga Miçigani në Shtpinë e Bardhë

Në një përpjekje të vështirë për të zhbërë fitoren e zotit Biden në Miçigan – dhe mundësisht në disa shtete të tjera – Presidenti Trump u takua mbrëmë me udhëheqjen republikane të legjislaturës së këtij shteti.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ligjvënësit e Miçiganit publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej: “Ne nuk jemi vënë ende në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Michigan. Ne do të ndjekim ligjin,” thanë ata.

Por të shtunën, Presidenti Trump tha se media e kishte lexuar gabim deklaratën e tyre. “Do të provohet se ka patur mashtrim në masë me votat,” shkruante ai në Twitter.

Akuzat e presidentit ndezin pasionet e bazës së tij

Akuzat e Presidentit Trump kanë vazhduar të ndezin pasionet mes bazës së tij republikane.

Qindra mbështetës u mblodhën të shtunën përpara selisë së legjislaturës së shtetit Xhorxhia në Atlanta. Videot e postuara në internet tregonin folës që denonconin mediat për faktin që parashikuan zotin Biden si fitues të zgjedhjeve, si dhe disa udhëheqës republikanë të këtij shteti për çertifikimin e rezultateve.

Në vendin e protestës u dërgua policia me veshje speciale për t’i ndarë ata nga kundërprotestuesit që ishin mbledhur aty pranë.

zëri i amerikës

Trysni për të shtyrë çertifikimin e rezultatit zgjedhor në Miçigan

Komiteti Kombëtar Republikan dhe Partia Republikane e Miçiganit i kërkuan me anë të një letre bordit shtetëror të zgjedhjeve në Miçigan ta shtyjë procesin e çertifikimit 14 ditë për të lejuar një kontroll të fletëve të votimit në qarkun më të madh të këtij shteti.

Letra vjen ndërkohë që Qarku Uejn, i cili përfshin qytetin me shumicë afrikano-amerikane të Detroitit, është bërë një qendër e përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit në shtetet që ishin vendimtare në humbjen e tij përballë demokratit Joe Biden.

Dy republikanë në bordin e këshillit zgjedhor të qarkut u përpoqën ta tërheqin votën e tyre në favor të çertifikimit të rezultateve të këtij qarku, pas një thirrjeje telefonike që morën nga vetë Presidenti Trump. Sekretarja e Shtetit e Miçiganit, demokratja Jocelyn Benson, tha se çertifikimi nuk mund të ndryshohet.

Bordi shtetëror, i cili përfshin dy demokratë dhe dy republikanë, do të takohet të hënën për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve dhe do të ketë deri në 20 ditë afat për ta bërë këtë.

Letra bën thirrje për një “kontroll të plotë dhe transparent” në qarkun Uejn, duke përmendur “anomali të shumta dhe raporte të besueshme për parregullsi procedurale” akuza të ngritura nga një kandidat republikan që humbi vendin në senat.

Zyra e Sekretares së Shtetit rekomandoi të premten që bordi i shtetit të çertifikonte rezultatet, të cilat e nxjerrin zotin Biden fitues në Miçigan me 154,187 vota.

Miçigan, numërimi i votave

Miçigan, numërimi i votave

Ajo tha se kishte gabime të vogla në numërim dhe në raportim, por se ato ishin “gabime tipike njerëzore, të ngjashme me ato që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara” pa ndikim në rezultatet.

I pyetur për këtë çështje, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të Miçiganit vuri në dukje se ligji i shtetit nuk lejon auditim votash para çertifikimit dhe tha: “Gjyqtarët e emëruar si nga republikanët ashtu edhe demokratët kanë gjetur se pretendimet për mashtrim zgjedhor masiv janë krejtësisht të pabaza.”

Disa grupe kanë paraqitur kundërshtime, duke thënë se do të ndërmarrin veprimet e tyre ligjore.

Të premten, një grup votuesish afrikano-amerikanë në Detroit dhe një organizatë për të drejtat e votimit ngritën padi në gjykatën federale duke akuzuar Presidentin Trump dhe fushatën e tij për shkeljen e Aktit të të Drejtave të Votimit të vitit 1965.

Aty thuhet se ekipi i Presidentit Trump pretendon në mënyrë të rreme për manipulim votash dhe po përpiqet ta përmbysë rezultatin në Miçigan dhe në shtete të tjera me presione ndaj zyrtarëve për të mos çertifikuar rezultatin ose për të zgjedhur elektorë pro zotit Trump.

“Për të realizuar këtë strategji, të pandehurit po kërkojnë hapur t’u heqin votuesve afrikano-amerikanë të drejtën e votë,” thuhej në padi. Më shumë se 78% e banorëve të Detroitit janë afrikano-amerikanë, sipas të dhënave amerikane të regjistrimit të popullsisë.

Disa avokatë në Detroit gjithashtu i kanë kërkuar një gjykatësi të qortojë fushatën e zotit Trump për përhapjen e “dezinformimit”.

Sipas ligjit amerikan, zgjedhjet presidenciale i fiton ai kandidat që arrin të sigurojë të paktën 270 vota të Kolegjit Elektoral me 538 anëtarë. Kjo përcaktohet nga vota popullore në çdo shtet. Zoti Biden fitoi në Miçigan me më shumë se 150,000 vota dhe duket se i ka siguruar të 16 votat elektorale në këtë shtet.

Ligjvënësit nga Miçigani në Shtpinë e Bardhë

Ligjvënësit nga Miçigani në Shtpinë e Bardhë

Në një përpjekje të vështirë për të zhbërë fitoren e zotit Biden në Miçigan – dhe mundësisht në disa shtete të tjera – Presidenti Trump u takua mbrëmë me udhëheqjen republikane të legjislaturës së këtij shteti.

Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, ligjvënësit e Miçiganit publikuan një deklaratë të përbashkët, ku thuhej: “Ne nuk jemi vënë ende në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Michigan. Ne do të ndjekim ligjin,” thanë ata.

Por të shtunën, Presidenti Trump tha se media e kishte lexuar gabim deklaratën e tyre. “Do të provohet se ka patur mashtrim në masë me votat,” shkruante ai në Twitter.

Trump pëson dy goditje të tjera në përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin zgjedhor

Përpjekjet e presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, morën një goditje tjetër më 20 nëntor, kur shteti i Xhorxhias certifikoi fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, teksa ligjvënësit republikanë nga shteti i Miçiganit u larguan nga një takim në Shtëpinë e Bardhë të papërgatitur që të shkojnë kundër vullnetit të votuesve.

I përballur me një sërë humbjesh në gjykata, për shkak të mosparaqitjes së dëshmive që do të mbështesnin pretendimet e tij për parregullsi në zgjedhje, disa analistë thonë se presidenti amerikan, Donald Trump po ndërmerr një hap të paprecedent në përpjekje për të “përmbysur” procesin e Kolegjit Zgjedhor.

Pas përpjekjeve të fundit të dështuara të Trumpit për të përmbysur rezultatin, lidershipi i republikanëve në shtetin e Miçiganit, përfshirë edhe liderin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve, u thirrën në Shtëpinë e Bardhë, në përpjekje për t’i bindur ata që të ndihmojnë në përmbysjen e rezultatit në këtë shtet kyç.

Pas këtij takimi në Shtëpinë e Bardhë, lideri i Senatit në Miçigan, Mike Shirkey dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Lee Chatfield, thanë se pretendimet për mashtrime zgjedhore duhet të hetohen, por ata lanë të kuptohet se nuk janë të bindur nga pretendimet që ka bërë Trump deri tash për këtë çështje.

“Deri tani ne nuk jemi në dijeni për ndonjë informacion që do të mund të ndryshonte rezultatin zgjedhor në Miçigan dhe si liderë të ligjvënësve, ne do t’i bindemi ligjit dhe do të ndjekim procesin zgjedhor sa i përket këtij shteti”, thanë ata përmes një deklarate për media.

“Kandidatët që fitojnë më së shumti vota fitojnë zgjedhjet dhe votat elektorale të Miçiganit, shtuan ata.

Asnjë nga përpjekjet e presidentit Trump nuk pritet që ta ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ku demokrati Joe Biden ka fituar mbi 270 vota elektorale, të nevojshme që të zgjidhet president.

Por, presidenti Trump dhe aleatët e tij republikanë kanë bërë pretendime të pambështetura se ka pasur mashtrime zgjedhore dhe kanë sulmuar sistemin zgjedhor.

Ndërkaq, në shtetin e Xhorxhias, Sekretari i Shtetit, republikani Brad Raffensperger edhe zyrtarisht ka certifikuar fitoren e Bidenit në këtë shtet, pas rinumërimit të votave, që konfirmuan fitoren e ngushtë të Bidenit kundrejt Trumpit.

“Si republikanët e tjerë, unë jam i zhgënjyer, kandidati ynë nuk ka fituar votat elektorale të Xhorxhias”, tha ai.

Me votat elektorale të Xhorxhias, Biden ka 306 vota elektorale dhe Trump 232. rel

Ligjvënësit e Miçiganit: Nuk kemi informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve

Marrë nga Associated Press

Udhëheqësit kryesorë republikanë të legjislaturës së shtetit Miçigan thanë pas një takimi me Presidentin Donald Trump të premten se ata nuk kishin ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet, ku demokrati Joe Biden mundi republikanin Trump.

“Ne ende nuk jemi vënë në dijeni për ndonjë informacion që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve në Miçigan dhe, si udhëheqës legjislativë, do të ndjekim ligjin dhe procesin normal në lidhje me elektorët e Miçiganit,” thanë në një deklaratë të përbashkët udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit të Miçiganit Mike Shirkey dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Lee Chatfield.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany tha më parë se takimi i Presidentit Donald Trump me ligjvënësit nga shteti i Miçiganit nuk do të ishte për t’u treguar atyre si të veprojnë dhe se aty nuk do të merrnin pjesë zyrtarë të fushatës.

Presidenti Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit e legjislaturës së Miçiganit ndërsa fushata e tij vazhdon të sfidojë fitoren e zotit Joe Biden, bazuar në akuza të paprovuara për mashtrim të votuesve.

Pas dështimit me disa sfida në gjykatë për të minuar fitoren e zotit Biden duke vënë në dyshim ligjshmërinë e votave të numëruara, presidenti dhe këshilltarët e tij ligjorë po lidhen drejtpërdrejt me udhëheqësit legjislativë republikanë të shtetit, për të parë nëse ata janë të gatshëm të ndërmarrin hapa për të ndryshuar vullnetin e votuesve.

Takimi duket se ishte pjesë e fushatës së pazakontë pas-zgjedhore të Presidentit Trump për të bllokuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Biden në Miçigan dhe në shtetet e tjera fushë-betejë, me synim përmbysjen e rezultateve zgjedhore në mbarë vendin.

Zoti Biden, e fitoi Miçiganin me 154,000 vota më shumë. Por ky shtet ende nuk i ka çertifikuar rezultatet, ndërsa zoti Trump dhe aleatët e tij vazhdojnë të përpiqen të bindin gjyqtarët dhe ligjvënësit e shtetit për të mos përfillur votën popullore, por që elektorët të zgjidhen nga legjislatura e shtetit, ku republikanët kanë shumicën.

Takimi u planifikua pasi Presidenti Trump ndërmori hapin e pazakontë për t’u telefonuar personalisht dy zyrtarëve zgjedhorë të qarkut Uejn të Miçiganit në fillim të kësaj jave, të cilët ranë dakord të çertifikonin rezultatet. Por zyrtarët thanë se më vonë ata shfaqën dëshirën për ta rishikuar vendimin e tyre pasi kishin folur me Presidentin Trump.

Zoti Trump shkoi më tej, duke i ftuar dy ligjvënësit republikanë të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë për bisedime, ndërkohë që zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve përgatiten të konfirmojnë zotin Biden si fitues.

Qarku Uejn, i cili përfshin Detroitin, është më i populluari në Miçigan dhe ku u votua me shumicë për zotin Biden.

Të premten, kur udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit në Miçigan, Mike Shirkey, po nisej nga Detroiti për në Uashington, ai u përball me një numër aktivistësh që mbanin pankarta me fjalët: “Respektoni Votën” dhe “Mbroni Demokracinë”.

Në fillim të kësaj jave, zoti Shirkey tha se Biden është presidenti i zgjedhur. Ai tha se asnjë përpjekje për t’ia dhënë votat elektorale të Miçiganit Presidentit Trump “nuk do të ndodhë”, sipas portalit të lajmeve “Bridge Michigan”.

Përpjekje të Presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve

Presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij po ndërmarrin hapa gjithnjë e më të dëshpëruara për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përfshirë thirrjen e legjislatorëve të shtetit të Miçiganit në Shtëpinë e Bardhë si pjesë e një përpjekjeje me pak gjasa për sukses për të përmbysur fitoren e Joe Bidenit.

Ndër taktikat e përdorura së fundmi: thirrjet telefonike personale të presidentit me zyrtarët lokalë të zgjedhjeve që po përpiqen të anulojnë çertifikimin e zgjedhjeve në Miçigan, përpjekjet e një sfide ligjore që Pensilvania të mos respektojë votën popullore dhe presioni ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në Arizona për të vonuar çertifikimin e votave.

Ekspertët e ligjit zgjedhor i shohin këto si përpjekjet e fundit të dëshpëruara, nga ekipi i fushatës së presidentit Trump dhe thonë se është e sigurt që zoti Biden do të hyjë në Zyrën Ovale në janar. Por ekziston një shqetësim i madh se përpjekja e zotit Trump po i bën dëm të konsiderueshëm besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane.

Senatori i shtetit Jutah, Mitt Romney, një nga kritikët më të zëshëm të presidentit Trump nga radhët e partisë republikane, akuzoi zotin Trump për përdorimin e “presionit të hapur ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë për të rrëzuar vullnetin e popullit dhe për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve”.

Senatori Romney shtoi se “është e vështirë të imagjinohet një veprim më i dëmshëm, më jodemokratik nga një president amerikan në detyrë.”

Vetë agjencia e sigurisë së zgjedhjeve e administratës së presidentit Trump deklaroi se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin më të sigurtat në histori. Disa ditë pasi u lëshua kjo deklaratë, presidenti Trump shkarkoi drejtuesit e agjencisë.

Lëvizjet gjithnjë e më të dëshpëruara dhe kaotike nuk kanë asnjë shans të arsyeshëm për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat zoti Biden ka marrë më shumë vota se çdo kandidat tjetër presidencial në histori dhe ka siguruar 270 votat e Kolegjit Zgjedhor të nevojshme për të fituar.

Por pretendimet e vazhdueshme e të pabaza të presidentit republikan, puna e tij për të lëkundur zyrtarët lokalë që çertifikojnë rezultatet dhe refuzimi i aleatëve të tij për të pranuar se ai humbi zgjedhjet ka të ngjarë të ketë një ndikim negativ për një kohë të gjatë në vend. Bastionet e mbështetësve të tij nuk besojnë se ai humbi.

“Është një përpjekje për të bërë që gjysma e vendit të besojnë se ka vetëm dy mundësi, ose fitore ose zgjedhjet janë vjedhur,” thotë Justin Levitt, një studiues i së drejtës kushtetuese dhe profesor në universitetin e Drejtësisë Loyola. “Dhe kjo nuk është një demokraci”.

Fjalia "Çdo votë të numërohet" në një ekran gjigand realizuar nga një organizatë para legjislaturës në Lansing të Miçiganit. (Foto e agjencisë AP)

Fjalia “Çdo votë të numërohet” në një ekran gjigand realizuar nga një organizatë para legjislaturës në Lansing të Miçiganit. (Foto e agjencisë AP)

Dy anëtarët republikanë të Bordit të Zgjedhjeve të Qarkut Wayne në shtetin e Miçiganit njoftuan të mërkurën në mbrëmje se nuk kanë besim se zgjedhjet ishin të drejta dhe të paanshme. “Ka pasur një mungesë të dukshme transparence gjatë gjithë procesit,” thanë ata. Por zyrtarët e zgjedhjeve thane se nuk ka pasur prova të manipulimit ose mashtrimit të votave në Miçigan.

Aleatët e presidentit Trump i kanë mëshuar faktit se presidenti Trump udhëhiqte në fillim në Miçigan dhe disa shtete të tjera natën e zgjedhjeve dhe ky rezultat ndryshoi pasi erdhën votat më vonë, duke e përdorur këtë si provë të dyshimtë.

Por një fluks masiv i fletëvotimeve me postë si pasojë e pandemisë së koronavirusit ishin kryesisht për zotin Biden, i cili inkurajoi mbështetësit e tij të votonin me postë dhe ato vota ishin të fundit që u numëruan. Kështu që u duk se presidenti Trump kishte një avantazh kur në të vërtetë nuk e kishte.

Në fakt, zoti Biden shënoi një fitore të thellë në Wayne, një bastion i demokratëve, duke siguruar dyfishin e votave që mori Presidenti Trump. Sipas rezultateve ende jozyrtare, zoti Biden ka fituar në Miçigan me një diferencë prej 154 mijë votash.

Në fillim të kësaj jave, dy anëtarët republikanë të qarkut bllokuan çertifikimin e votave atje. Ata më vonë u tërhoqën dhe rezultatet u çertifikuan. Por një person në dijeni të kësaj çështjeje tha se presidenti Trump i telefonoi Monica Palmer-it dhe William Hartmann-it, të martën në mbrëmje pas rishikimit të votimit për të shprehur mirënjohje për mbështetjen e tyre. Më pas, të mërkurën, Palmer dhe Hartmann firmosën një dëshmi ligjore ku thonë se besojnë se vota e qarkut “nuk duhet të çertifikohej”.

Sipas sekretarit të shtetit të Miçiganit, ata nuk mund të tërheqin votat e tyre,. Bordi i zgjedhjeve me katër anëtarëve pritet të takohet të hënën dhe është gjithashtu i ndarë me dy demokratë dhe dy republikanë.

Më parë, avokati personal i zotit Trump, Rudy Giuliani dhe avokatë të tjerë mbajtën një konferencë shtypi duke pretenduar një komplot të gjerë zgjedhor të demokratëve që përfshinte shumë shtete dhe makina të dyshuara votimi.

Ekipi ligjor i Presidentit Trump

Ekipi ligjor i Presidentit Trump

Por zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë vazhdimisht se nuk ka patur mashtrim të përhapur.

Shumë nga akuzat për mashtrim burojnë nga vëzhguesit e zgjedhjeve, të cilët depozituan dëshmi ligjore që janë përfshirë në procese gjyqësore në shtetet e fushës së betejës përmes të cilave synohet vonesa e çertifikimit të votave.

Në Pensilvani, ku ekipi i fushatës së presidentit Trump po sfidon rezultatet e zgjedhjeve në gjykatën federale, një ekip ligjor i udhëhequr nga Rudy Giuliani sugjeroi në një çështje ligjore të depozituar të mërkurën që gjyqtari të urdhërojë legjislaturën shtetërore të udhëhequr nga republikanët të zgjedhë elektorët në Kolegjin Zgjedhor, duke hedhur potencialisht 20 vota elektorale për zotin Trump. Një gjyqtar anuloi një seancë dëgjimore për çështjen.

zëri i amerikës

Biden vazhdon punën për formimin e stafit të tij të Shtëpisë së Bardhë

Presidenti i zgjedhur Joe Biden i shtoi stafit të ndihmësve kryesorë katër ish-zyrtarë të administratës Obama-Biden, ndërsa vazhdon punën për formimin e ekipit të tij të Shtëpisë së Bardhë.

Cathy Russell, ish-shefe e stafit të zonjës Jill Biden gjatë administratës Obama, do të shërbejë si drejtore e Zyrës së Personelit Presidencial në Shtëpinë e Bardhë, që merret me vlerësimin e aplikantëve për role të ndryshme brenda administratës. Louisa Terrell, ish-këshilltare legjislative e presidentit në administratën Obama dhe ish-zëvendës shefe e stafit të zotit Biden në Senat, do të jetë drejtore e Zyrës së Çështjeve Legjislative të Shtëpisë së Bardhë. Ajo është tashmë pjesë e ekipit të tranzicionit dhe merret me marrëdhëniet me Kongresin.

Carlos Elizondo, ish-sekretar i çështjeve sociale për zonjën Jill Biden gjatë administratës Obama, do të jetë në të njëjtin rol, sekretar social për zonjën e parë. Ndërsa Mala Adaga do të shërbejë si drejtoreshë e politikave për zonjën Biden. Zonja Adaga më parë ka punuar si drejtore për arsimin e lartë dhe familjet e ushtarakëve në Fondacionin Biden, prandaj roli i saj i ri është një tregues për fushat ku mund ta përqëndrojë aktivitetin e saj zonja Biden.

Njoftimet vijnë vetëm disa ditë pasi Presidenti i zgjedhur Biden bëri të ditur emrat e atyre që do të jenë këshilltarët e tij më të ngushtë në stafin e lartë të Shtëpisë së Bardhë. Mes tyre janë Jen O’Malley Dillon, që do të shërbejë si zëvendës shefe e stafit dhe kongresmeni Cedric Richmond si drejtor i Zyrës së Angazhimit Publik në Shtëpinë e Bardhë. Në fund të javës së kaluar, zoti Biden njoftoi se ndihmësi i tij i vjetër Ron Klain do të jetë shefi i tij i stafit.

Megjithëse këto njoftime krijojnë një ide për ekipin e Shtëpisë së Bardhë që zoti Biden po fillon të ndërtojë, ai ende nuk ka caktuar dikë në rolin e koordinatorit për COVID-in, as individët në rolet kryesore të komunikimit me publikun. Ekipit të tij do t’i duhet të bëjë mijëra emërime të tjera në stafin e administratës së ardhshme që do të nisë punën në janar. Aktualisht, ekipi është duke shqyrtuar aplikimet dhe po lidhet me kandidatët e mundshëm për rolet kryesore.

Zoti Biden ka dhënë shenja se planifikon të bëjë disa nga emërimet për kabinetin e ri rreth Ditës së Falënderimeve dhe tha të enjten se tashmë ka marrë vendim se cili do të jetë Sekretari i tij i Thesarit.

zëri i amerikës

Joe Biden feston ditëlindjen

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden feston në 20 nëntor ditëlindjen e tij të 78. Si figurë e hershme e jetës politike në Uashington, zoti Biden ka treguar një interesim të madh për çështjet ndërkombëtare. I hedhim një vështrim karrierës së tij.

Joseph Biden u zgjodh në Senat në vitin 1972 kur ishte 29 vjeç.

Disa javë më vonë, familja e tij u godit nga tragjedia. Gruaja dhe vajza e tij e vogël humbën jetën në një aksident me makinë, ndërsa dy djemtë u plagosën rëndë.

Zoti Biden mendoi të hiqte dorë nga vendi i tij në Senat, por pastaj vendosi të qëndrojë.

Ai kaloi 35 vjet në Kongres, ku ka qenë një zë i njohur për çështjet e politikës së jashtme.

Zoti Biden është takuar me shumë figura politike ndërkombëtare, përfshirë ish-presidentin çek Vaclav Havel.

Ai kandidoi dy herë pa sukses për president, duke përfshirë garën e vitit 2008, prej nga u tërhoq pas zgjedhjeve paraprake në Iowa.

Në vitin 2008, kandidati demokrat për president Barack Obama e zgjodhi atë si kandidat për nën president, duke marrë parasysh përvojën e gjatë të zotit Biden.

Donald Trump, i cili në atë kohë njihej si manjat i pronave të patundshme dhe si ylli i spektaklit televiziv The Apprentice, u pyet se ç’reagim kishte për emërimin e zotit Biden si kandidat për nënpresident:

“Ishte një zgjedhje e pazakontë dhe shumë njerëz mendojnë se do të jetë interesante. Të shohim se ç’do të ndodhë,” tha ai.

Gjatë administratës Obama, nënpresidenti Biden e vazhdoi punën diplomatike.

Ai vizitoi Kosovën në vitin 2009 dhe më pas në 2016, kur mori pjesë në ceremoninë e emërimit të një rruge me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden.

Zoti Biden tha se ripajtimi është i domosdoshëm, duke inkurajuar udhëheqësit e Kosovës që të përmbyllin çështjet që lidhen me fqinjësinë e mirë dhe të forcojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Demokracia e vërtetë është një proces që kërkon punë të vazhdueshme. Çdo qytetar ka për detyrë të votojë, të jetë i angazhuar dhe të ndihmojë tjetrin,” tha ai.

Në nëntor 2016, dy mandatet e Presidentit Obama u pasuan nga fitorja e zotit Trump për republikanët, që habiti shumë njerëz. Kandidati Trump mposhti me rezultat të ngushtë rivalen demokrate Hillary Clinton.

Presidenti Trump ndoqi politikën Amerika e Para, brenda dhe jashtë vendit.

Zoti Biden kandidoi përsëri për Shtëpinë e Bardhë dhe fitoi garën brenda demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.

Fushata e Presidentit Trump e akuzoi atë për përdorimin e lidhjeve të tij në Ukrainë në favor të biznesit të të birit.

Gjatë debatit të fundit presidencial, Presidenti Trump pretendoi se djali i zotit Biden, Hunter kishte marrë rrogë të majme nga një firmë ukrainase.

Zoti Biden u përgjigj se akuza ishte hetuar disa herë dhe se nuk kishte patur ndonjë shkelje.

Një hetim i Senatit i udhëhequr nga republikanët nuk gjeti prova për shkelje nga ana e zotit Biden në lidhje me Ukrainën.

Gjatë më shumë se 30 viteve në Senat, zoti Biden ka kryesuar disa komisione, si ai i marrëdhënieve me jashtë dhe i gjyqësorit.

Ai ka premtuar se do ta udhëheqë vendin në një rrugë shumë të ndryshme nga ajo e katër viteve të shkuara nën Presidentin Donald Trump, për çështje që variojnë nga koronavirusi dhe kujdesi shëndetësor te mjedisi, arsimi dhe politika e jashtme.

Zoti Biden mbështet një strategji për të luftuar kundër militantëve ekstremistë jashtë vendit me forca speciale dhe sulme ajrore, në vend të dërgimit të trupave amerikane në terren.

Ai ka mbështetur disa ndërhyrje ushtarake amerikane, përfshirë atë në Irak në vitin 2003, për të cilin tani thotë se ishte një gabim. Ai anon nga diplomacia dhe nga zgjidhjet përmes aleancave dhe institucioneve globale.

Zoti Biden është një mbështetës i fortë i NATO-s. Ai ka paralajmëruar se Moska po shkatërron themelin e demokracisë perëndimore duke u përpjekur të dobësojë NATO-n, të ndajë Bashkimin Evropian dhe të minojë sistemin zgjedhor amerikan.

Ai thotë gjithashtu se Rusia po përdor institucionet financiare perëndimore për të pastruar miliarda dollarë dhe për të ndikuar politikanët.

Presidenti i zgjedhur Biden ka bërë thirrje për rritjen e pranisë amerikane në Azi-Paqësor dhe forcimin e aleancave me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Indonezinë.

Ai bashkohet me Presidentin Trump në dëshirën për t’i dhënë fund luftërave në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan, por mendon se SHBA duhet të mbajnë një forcë të vogël atje për t’iu kundërvënë terrorizmit.

Ai thotë se vendimet e zotit Trump për të dalë nga traktatet dypalëshe dhe ndërkombëtare si marrëveshja bërthamore me Iranin apo marrëveshja e Parisit për klimën, kanë bërë që vendet e tjera të dyshojnë tek fjala e Uashingtonit.

Zoti Biden ka shprehur dëshirën për t’i ftuar të gjitha vendet demokratike në një samit për të diskutuar se si të luftohet korrupsioni dhe autoritarizmi dhe si të mbështeten të drejtat e njeriut.

Ai ka shprehur mbështetje “të hekurt” për Izraelin dhe është për një zgjidhje me dy shtete në konfliktin e gjatë midis Izraelit dhe Palestinezëve. Ai thotë se do ta mbajë në Jeruzalem ambasadën amerikane, të cilën Presidenti Trump e zhvendosi atje nga Tel Avivi.

Presidenti i zgjedhur e ka kritikuar diplomacinë e Presidentit Trump ndaj Kim Jong Unit, duke thënë se diplomacia e bisedimeve “kokë më kokë” i dha legjitimitet udhëheqësit të Koresë së Veriut dhe nuk e ka bindur Phenianin të heqë dorë nga armët e tij bërthamore. zëri i amerikës

Joe Biden fiton në Xhorxhia

President-elect Joe Biden speaks at The Queen theater in Wilmington, Del., Nov. 19, 2020.

Joe Biden ka fituar në shtetin e Xhorxhias dhe 16 votat e saj elektorale, një fitore e jashtëzakonshme për demokratët që ka zgjeruar hartën e tyre elektorale në juglindje të vendit.

Fitorja e zotit Biden rrit epërsinë e tij në Kolegjin Zgjedhor ndaj Presidentit Donald Trump. Biden u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale më 7 nëntor pasi fitoi në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, shtete të ciliat Presidenti Trump i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2016.

Biden tani ka 306 vota elektorale kundrejt 232 votave të Presidentit Trump.

Zoti Trump fitoi Xhorxhian në vitin 2016, duke marrë 5 përqind më shumë vota se demokratja Hillary Clinton.

Në vitin 2020, demokratët u përqendruar shumë në këtë shtet, duke e parë atë si një mundësi për fitore, dy vjet pasi demokratja Stacey Abrams humbi ngushtë garën për guvernatore të shtetit. Të dy vendet e Senatit në Xhorxhia kanë shkuar në balotazh, duke rritur më tej profilin politik të shtetit.

Xhorxhia nuk kishte votuar për një kandidat demokrat për president që nga viti 1992, kur Bill Clinton u bë president i vendit.

zëri i amerikës

Ish-oficeri amerikan deklarohet fajtor, spiunonte për rusët

Një ish-oficer i Forcave Speciale Amerikane u deklarua fajtor të mërkurën lidhur me akuzat se u kishte siguruar informacione sekrete ushtarake, agjentëve rusë të zbulimit.

Peter Rafael Dzibinski Debbins, 45 vjec, i cili u arrestua në muajin gusht, u deklarua fajtor për akuzën e shpërndarjes së informacionit të mbrojtjes tek një qeveri e huaj.

Ai do të dënohet në shkurt dhe përballet me burgim të përjetshëm thuhej në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, zoti Debbins, i cili shërbente në forcat elitë të Beretave të Gjelbërta, kishte udhëtuar herë pas here në Rusi mes viteve 1996 dhe 2011 dhe u kishte dhënë agjentëve rusë të zbulimit informacione të ndjeshme të ushtrisë amerikane. Sipas prokurorëve amerikanë në 1997 atij i ishte vendosur emri i koduar “Ikar Lesnikov” dhe kishte nënshkruar një deklaratë që vërtetonte se ai donte t’i “shërbente Rusisë”.

“Debbins pranoi sot se ai ka shkelur besimin më të lartë ndaj vendit duke u dhënë rusëve informacione të ndjeshme që lidhen me sigurinë kombëtare”, tha në një deklaratë John C. Demers, Ndihmës Prokurori i Përgjithshëm për Sigurinë Kombëtare. “Debbins shkeli betimin që kishte bërë, tradhëtoi vendin e tij dhe anëtarët e ekipit të Forcave Speciale me qëllimin për të dëmtuar Shtetet e Bashkuara dhe për të ndihmuar Rusinë”, shtoi ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës nëna e zoti Debbins ka lindur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ai kishte treguar “interes rreth Rusisë të paktën pjesërisht për shkak të origjinës së nënës së tij”.

Udhëtimin e parë drejt Rusinë zoti Debbins e ka kryer në vitin 1994, kur ishte 19 vjeç, kohë gjatë së cilës u njoh me bashkëshorten e tij, vajzën e një oficeri rus, në qytetin e Chelyabinsk-ut.

Në vitin 1996, ndërsa ndiqte studimet në universitetin e Minesotës si anëtar i Korpusit të Trajnimit të Oficerëve Rezervë (ROTC), zoti Debbins vizitoi Chelyabinsk-un kohë gjatët së cilës dyshohet se ishte rekrutuar nga agjentët rusë të zbulimit, sipas dokumenteve të gjykatës. Qyteti i Chelyabinsk-ut ndodhet pranë një baze ushtarake ruse.

ROTC është program trajnimi për oficerët amerikanë që ndjekin kolegjin apo universitetin.

Zoti Debbins shërbeu në ushtrinë amerikane nga 1998 deri në 2005, fillimisht si oficer në njësinë kimike dhe më vonë si kapiten në Forcat Speciale. Prokurorët amerikanë thonë se ai iu bashkua Forcave Speciale nxitur nga rusët.

Në vitin 2008, tre vjet pas largimit nga detyra aktive, zoti Debbins u dha agjentëve rusë emrat e një numri ish-anëtarësh të ekipit të tij të Forcave Speciale. Sipas Departamentit të Drejtësisë Rusia e kishte kërkuar këtë informacionin për të “vlerësuar nëse mund t’u afrohej për t’u kërkuar të bashkëpunonin me shërbimet ruse të zbulimit”.

zëri i amerikës

Engel: Të hetohet çdo kush që ka kryer krime lufte, jo vetëm shqiptarët

Komiteti për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve i SHBA-së, të cilin e kryeson kongresisti Eliot Engel, ka thënë se çdo kush që ka kryer krime të luftës në Kosovë, pa marr parasysh etninë, duhet të sillet para drejtësisë.

Ky reagim erdhi pas raportimeve të mediave se trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 janë gjetur në një varrezë masive në Serbi, afër kufirit me Kosovën.

Engel ka kritikuar edhe më herët Gjykatën Speciale me seli në Hagë e cila deri tash është duke hetuar vetëm shqiptarët për krime të pretenduara se janë kryer gjatë dhe në muajt e parë pas mbarimit të luftës në qershor të vitit 1999.

“Çdo kush që ka kryer krime lufte, pavarësisht nga përkatësia etnike, duhet të dalë para drejtësisë. Pikë. Por, drejtësia nuk duhet të shihet përmes një prizmi nga i cili mund të kalojnë imazhe të vetëm një etnie. Tash për tash, duket se kjo po ndodhë në Kosovë me Gjykatën Speciale, dhe diçka duhet të ndryshojë”, thuhet në një deklaratë në llogarinë e Twitter-it të Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve që kryesohet nga Engel.

“Ata ende po gjejnë trupa të varrosur në Serbi, viktima të (fushatës së) Millosheviqit për pastrim etnik në Kosovë”, thuhet më tutje.

Më datë 16 nëntor, në afërsi të Rashkës në Serbi, janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova.

Informacionin mbi zbulimin e mbetjeve mortore në Kizhevak, afër kufirit me Kosovën, fillimisht më 16 nëntor e bëri të ditur drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu. Ai konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.

Në lokalitetin e njëjtë janë bërë gërmime edhe në vitin 2015.

Kosova përfiton 33 milionë dollarë ndihmë nga SHBA-të

Prishtina

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Kosovës 33 milionë dollarë amerikanë, ndihmë kjo që lidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme.

Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën nga u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se përmes këtij projekti synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

“Investimi i vazhdueshëm i SHBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka thënë u.d. Presidentja Osmani përmes një deklarate për shtyp.

SHBA-të janë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Biden takim me këshilltarët për Sigurinë Kombëtare

VOA

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden u takua të martën me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare, por jo me ekspertë qeveritarë të zbulimit, pasi Presidenti Donald Trump vazhdon të bllokojë procesin e tranzicionit të demokratëve për në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas ekipit të tranzicionit, zoti Biden dhe Nënpresidetja e zgjedhur Kamala Harris po diskutojnë mbi çështje botërore me ekspertët e tyre në fushën e diplomacisë, zbulimit e të mbrojtjes.

Ditët e fundit ligjvënës të shumtë republikanë kanë thënë se zyrtarët e qeveritare të zbulimit duhet të informojnë zotin Biden përpara inaugurimit të tij në 20 janar edhe pse zoti Trump vazhdon me sfidat e tij ligjore për të përmbysur fitoren e parashikuar të zotit Biden, me synimin për të qëndruar në detyrë për një mandat tjetër katër vjeçar.

Ligjvënësit republikanë thonë se dorëzimi tek zoti Biden i informacioneve ditore që i jepen presidentit nga zbulimi amerikan lidhur me kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe ato globale janë thelbësore për të, për marrjen e pushtetit. Sipas tyre paditë e zotit Trump me anë të të cilave pretendohet parregullsi në votime si dhe në numërimit e votave mund të vazhdojnë paralelisht.

Por zoti Trump ka pretenduar vazhdimisht se është ai fituesi i zgjedhjeve dhe ka refuzuar të pranojë humbjen. Numërimi i votave në shtete të veçanta tregon se zoti Biden ka fituar më shumë se 270 vota elektorale minimumi i duhur për të fituar garën për president.

Zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin i kanë thënë Zërit të Amerikës dhe mediave të tjera amerikane se ata nuk kanë gjetur prova për manipulim të gjerë të votave, por vetëm raste relativisht të vogla parregullsish gjatë procesit të votimit, të cilat siç thonë ata, nuk do të ishin të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve edhe nëse zoti Trump do të të fitonte proceset gjyqësore.

Që zoti Biden të nisë zyrtarisht procesin e tranzicionin, duke u informuar nga organet e zbulimit dhe duke pasur qasje të gjerë tek agjenci të shumta qeveritare, shefi i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme duhet të nënshkruajë një dokument që vërteton se zoti Biden i ka fituar zgjedhjet. Zoti Trump e ka bllokuar kryerjen e një veprimi të tillë nga kjo agjenci.

Përveç takimit me këshilltarët e sigurisë kombëtare, të martën zoti Biden emëroi shtatë ndihmës kryesorë të tij në Shtëpinë e Bardhë, krahas dy të tjerëve të caktuar për të ndihmuar bashkëshorten e tij, Jill Biden. Javën e kaluar, zoti Biden emëroi ndihmësin e tij të kahershëm, Ron Klain në detyrën e shefin e tij të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Po kështu Steve Ricchetti, një ekspert politik karriere, u emërua këshilltar i presidentit, ligjvënësi i Luizianës Cedric Richmond u emërua këshilltar i lartë i zotit Biden dhe drejtor i zyrës për Marrëdhëniet me Publikun në Shtëpinë e Bardhë ndërsa Jennifer O’Malley Dillon, menaxherja e fushatës zgjedhore të zotit Biden, u emërua zëvendës shefe e kabinetit.

Mike Donilon, një nga ndihmësit e hershëm të zotit Biden, u emërua këshilltar i lartë i tij, Dana Remus, avokate e fushatës së zotit Biden, u emërua si këshilltare e presidentit, Julie Rodriguez, një ish-ndihmëse e zonjës Harris, do të shërbejë në detyrën e drejtoreshës së zyrës për çështjet ndërqeveritare në Shtëpinë e Bardhë, Annie Tomasini, një tjetër ndihmëse prej kohësh e zotit Biden, do të jetë drejtoresha e operacioneve të Zyrës Ovale, zyrë që merret me aktivitetet e përditshme të presidentit.

Julissa Reynoso Pantaleon, ish-ambasadorja amerikane në Uruguaj, u emërua shefe e kabinetit të zonjës Jill Biden. Ndihmësi për një kohë të gjatë, Anthony Bernal do të jetë këshilltari i lartë i saj.

Stafi kryesor i Shtëpisë së Bardhë përbëhet nga individë që demonstrojnë përkushtim ndaj Presidentit të zgjedhur për ndërtimin e një administrate që dëshmon përvojë në qeverisje dhe do të jetë gati të japë rezultate për familjet amerikane që në ditën e parë të punës“, tha ekipi i tranzicionit të zotit Biden.

Presidenti Trump shkarkon kreun e agjencisë për sigurinë e zgjedhjeve

Marrë nga Associated Press

Presidenti Donald Trump shkarkoi të martën drejtorin e agjencisë federale që garantoi besueshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020.

Zoti Trump shkarkoi drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Christopher Krebs me një postim në Twitter, duke thënë se deklarata e tij e fundit në mbrojtje të sigurisë së zgjedhjeve ishte “shumë e pasaktë”.

Shkarkimi i zotit Krebs, një i emëruar i zotit Trump, vjen pasi presidenti po refuzon të pranojë fitoren e Presidentit të zgjedhur, demokratit Joe Biden dhe po largon nga detyra zyrtarë të nivelit të lartë që i konsideron si jo besnikë sa duhet. Ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper më 9 nëntor, pjesë e ndryshimeve më të gjera që vendosën besnikët e zotit Trump në pozicione të larta të Pentagonit.

Zoti Krebs, një ish-ekzekutiv i Microsoftit, drejtoi agjencinë e njohur si CISA, që nga krijimi i saj pas ndërhyrjes ruse në zgjedhjet 2016 deri në zgjedhjet e nëntorit. Ai u vlerësua nga të dyja krahët e politikës ndërsa CISA bashkërendonte përpjekjet federale, shtetërore dhe lokale për mbrojtjen e sistemeve zgjedhore nga ndërhyrjet e huaja ose të brendshme.

Ai nuk pati ndonjë prirje për të rënë në sy, megjithëse shprehu besim përpara votimeve të nëntorit tek siguria e zgjedhjeve dhe më pas, hodhi poshtë akuzat se numurimi i votimeve ishte shoqëruar me mashtrime. Disa herë, ai u duk se po e kundërshtonte drejtpërdrejt zotin Trump, një lëvizje befasuese nga një zyrtar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, një agjenci që ka ngjallur kritika se është shfaqur se ishte shumë e afërt me synimet politike të presidentit.

CISA lëshoi deklarata ku hidhte poshtë pretendimet se një numër i madh të vdekurish rezultonin si votues ose që dikush mund të ndryshonte rezultatet pa u diktuar.

Ai gjithashtu shpërndau një deklaratë nga një koalicion zyrtarësh federalë dhe shtetërorë duke arritur në përfundimin se nuk kishte prova që votat ishin komprometuar ose ndryshuar në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe se këto votime ishin më të sigurtat në historinë amerikane.

Zoti Krebs shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit dhe u përpoq të qëndronte mbi grindjet politike, megjithëse ai u përpoq të kundërshtonte dizinfromatat që vinin nga presidenti dhe mbështetësit e tij. “Nuk është detyra jonë të kontrollojmë vërtetësinë e asaj që thotë presidenti,” tha ai në një konferencë me gazetarët në prag të zgjedhjeve.

CISA punon me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë që menaxhojnë zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara si dhe me kompani private që sigurojnë pajisjet e votimit për të garantuar sigurinë kibernetike dhe rreziqe të tjera gjatë monitorimit të votimit dhe numërimit të votave nga një dhomë kontrolli në selinë e saj pranë Uashingtonit. Agjencia punon gjithashtu me industrinë dhe shërbimet për të mbrojtur bazën industriale të vendit dhe rrjetin e energjisë nga kërcënimet.

Agjencia gëzon një reputacion të mirë mes autoriteteve që u shërben – shtetit dhe zyrtarëve lokalë të zgjedhjeve që mbështeten në këshillat dhe shërbimet e saj në një kohë sulmesh kibernetike pothuajse të vazhdueshme – si dhe në Kongres, ku ligjvënësit kohët e fundit propozuan një rritje të buxhetit të saj vjetor prej rreth 2 miliardë dollarë.

Mes njoftimeve të fundit se zoti Krebs kishte frikë se mund të pushohej nga puna, kongresmeni Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Sigurinë Kombëtare, kishte thënë se ishte i shqetësuar dhe i dërgoi një mesazh drejtorit për ta pyetur nëse ishte mirë. Përgjigja ishte,, “tani për tani”, tha demokrati nga Misisipi.

“Është për të ardhur keq nëse dikujt me një talent të tillë i mbyllet goja,” tha zoti Thompson. “Nuk kam parë asnjë prirje partiake tek ai. Ai ka qenë një profesionist i përkryer.”

Kongresmeni Jim Langevin, një demokrat nga Rhode Island i cili merret me çështjet e sigurisë kibernetike, u kishte bërë thirrje kolegëve të tij republikanë që ta mbronin atë para se të hiqej nga posti.

“Chris Krebs dhe CISA kanë punuar aq mirë nën udhëheqjen e tij sepse ai dhe ekipi i tij thjesht kanë bërë punën dhe nuk u morën me politikë partiake,” tha Langevin.

Agjencia kishte pasur fillime të vështira. Pak përpara se Presidenti Barack Obama të largohej nga zyra, Shtetet e Bashkuara i përcaktuan sistemet zgjedhore si infrastrukturë kritike të sigurisë kombëtare, si digat ose termocentralet, si rezultat i ndërhyrjes nga Rusia, gjë që përfshinte depërtimin e sistemeve të zgjedhjeve shtetërore si dhe dizinformimin masiv.

Disa zyrtarë të zgjedhjeve në shtete dhe republikanët, duke dyshuar për ndërhyrje federale në territorin e tyre, ishin kundër këtij kategorizimi. Shoqata Kombëtare e Sekretarëve të Shtetit miratoi një rezolutë në kundërshtim me lëvizjen në shkurt 2017. Por administrata e Presidentit Trump mbështeti përcaktimin dhe përfundimisht zyrtarët skeptikë të shteteve e mirëpritën ndihmën.

zëri i amerikës

Biden paralajmëron pasoja vdekjeprurëse nëse Trump nuk koordinon reagimin kundër koronavirusit

Steven Herman

Presidenti i zgjedhur Joe Biden paralajmëroi se refuzimi i Presidentit Trump për të njohur tranzicionin para inaugurimit me 20 janar, mund të ketë pasoja tejet të rënda ndërsa vendi ndodhet në mesin e pandemisë së koronavirusit.

“Më shumë njerëz mund të vdesin nëse ne nuk koordinohemi”,tha zoti Biden si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari të hënën në qytetin Uillmington të shtetit Delauer.

Ndërsa përsëriti paralajmërimin se vendi ndodhet përballë një “dimri shumë të errët”, zoti Biden bëri thirrje për miratimin e menjëhershëm nga Kongresi të projektligjit të quajtur HEROES, një paketë stimuluese prej 3 trilionë dollarësh e propozuar si reagim ndaj pasojave të rënda ekonomike që ka të sjellë COVID-19.

“Ideja se presidenti ende është duke luajtur golf dhe nuk po bën asgjë rreth kësaj është përtej logjikës” , tha zoti Biden, ndërsa shtoi se: “mendoja se ai do të donte të largohej me një gjë pozitive”.

Presidenti i zgjedhur tha se njerëzve po u mbaron siguracioni në rasr papunësie dhe 20 milionë njerëz janë në prag të humbjes së shtëpive të tyre sepse nuk po paguajnë dot kreditë bankare, ndërsa “një numër i madh njerëzish po dëbohen dhe do të nxirren nga shtëpitë sepse nuk paguajnë dot qeranë”.

Zoti Biden i bëri komentet pas një takimi që ai së bashku me Nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris mbajtën lidhur me gjendjen e ekonomisë amerikane, e cila përballet me sfida të reja ndërsa rritet numri i infeksioneve me koronavirus. Numri në rritje i infeksioneve dhe shtrimeve në spital ka shtyrë guvernatorët dhe zyrtarët lokalë të disa shteteve që të rivendosin kufizime ndaj bizneseve në një përpjekje për të frenuar përhapjen e infektimeve me koronavirus.

“Aktualisht jemi në një vrimë shumë të errët, të paktën në lidhje me drejtimin që po ndjekim në raport me koronavirusin”, tha zoti Biden gjatë një diskutimi me drejtuesit e disa biznesve si dhe grupe punonjësish.

Presidenti Trump, i cili qëndroi në Shtëpinë e bardhë të hënën dhe nuk bëri asnjë dalje publike, në mendje kishte tregun e aksioneve gjatë mëngjesit, duke vlerësuar një njoftim rreth një vaksine të dytë kundër koronavirusit, për të cilën u shpreh se ndikoi në rritjen e tregut të aksioneve. Dow Jones u rrit me 1.6% të hënën.

“Mos harroni se këto zbulime të mëdha, që do t’i japin fund virusit kinez, ndodhën nën udhëheqjen time”, shkroi presidenti në Twitter, duke iu referuar vaksinave të njoftuara nga kompanitë Pfizer një javë më parë dhe Moderna të hënën.

“Duket se janë gati për përdorim”, tha zoti Biden për vaksinat. Ai e ka kritikuar Presidentin Trump lidhur me deklarata për të cilat tha se mund të ndikojnë tek njerëzit që hezitojnë të vaksinohen.

Vaksinimi në masë në Shtetet e Bashkuara mund të jetë disa muaj larg, ndërsa numri i rasteve me koronavirus dhe shtrimeve në spital po shtohen në shifra rekord.

Deri tani në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar më shumë se 246 mijë vdekje nga koronavirusi dhe 1.1 milionë infektime, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Të dy këto shifra janë më të lartat në botë.

Ekonomia amerikane ka rikuperuar miliona vende pune të humbura gjatë javëve të para të pandemisë në mars dhe prill, kur shkalla e papunësisë arriti 14.7%. Shkalla e papunësisë u përmirësua në tetor duke rënë në 6.9%, por vazhdon të jetë pothuajse sa dyfishi i shifrës më të ulëtë shënuar prej pesë dekadash ose 3.5% të regjistruar para se vendi të goditej nga virusi. Miliona vende pune u zhdukën gjatë pandemisë dhe mund të mos kthehen më ndërsa një valë e dytë infeksionesh ka përfshirë vendin.

Rezultatet e zgjedhjeve

Mundësia e zotit Biden për të trajtuar rimëkëmbjen ekonomike kushtëzohet gjerësisht nga rezultati i dy balotazheve në shtetin Xhorxhia më 5 janar.

Deri tani, republikanët kanë fituar 50 nga 100 vendet në Senatin e ri që mblidhet në fillim të janarit. Demokratët kanë 48 vende. Nëse senatorët republikanë fitojnë njërën ose dy vendet në zgjedhjet në Xhorxhia, republikanët do të vazhdojnë të ruajnë kontrollin e Senatit për dy vitet e ardhshme dhe kufizojnë mundësitë e presidentit të ri për të çuar përpara axhendën e tij legjislative, përfshi miratimin e një ndihme ekonomike për familjet e goditura rëndë nga pandemia.

Nëse demokratët fitojnë dy vendet në Senat në zgjedhjet në Xhorxhia, zoti Biden mund ta përdorë Senatin e ndarë politikisht në favor të tij, për shkak të votës së Nënpresidentes Harris e cila ndryshon balancën në Senat.

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndërsa vazhdon me pretendimet ligjore se zgjedhjet e 3 nëntorit ishin të manipuluara. Presidenti ka theksuar ato që i quan parregullsi në disa shtete. Zyrtarët shtetërore të zgjedhjeve nuk kanë raportuar ndonjë parregullsi serioze në votime që do të ndikonte rezultatin.

“Fitova”, shkruante Presidenti Trump në Twitter të hënën. “Jo, Biden fitoi zgjedhjet”, shkruante Associated Press duke kontrolluar faktet pas deklaratës së presidentit në Twitter, dhe vënë në dukje se zoti Biden fitoi në shtetet kyce, duke tejkaluar kufirin prej 270 votash elektorale për t’u shpallur fitues i garës presidenciale.

Një koalicion i zyrtarëve në nivel shtetëror që trajtojnë çështjet e zgjedhjeve dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike e të Infrastukturës pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare thanë përmes një deklarate të përbashkët se zgjedhjet ishin më të sigurtat në histori dhe se nuk kishte “asnjë provë se ndonjë sistem votimi fshiu, humbi, ndryshoi votat apo se i kishte kompromentuar ato në një mënyrë a tjetër ”.

Trumpi pyeti ndihmësit për mundësinë e sulmit ndaj Iranit

Me vetëm dy muaj sa i kanë mbetur në detyrë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pyeti ndihmësit e lartë në lidhje me mundësitë për të goditur objektet bërthamore të Iranit, thonë raportet e mediave.

Gjatë një takimi në Zyrën Ovale më 12 nëntor, Trump pyeti disa ndihmës të lartë, duke përfshirë zëvëndëspresidentin, Mike Pence, sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Mark Milley, “nëse ai kishte mundësi për të marrë masa kundër Iranit në javët e ardhshme “, raportoi The New York Times më 16 nëntor.

Zyrtarët e lartë “e dekurajuan presidentin të lëvizte përpara me një sulm ushtarak”, duke e paralajmëruar atë se lëvizja mund të ndezte një konflikt më të gjerë në javët e fundit të presidencës së tij, shkroi The Times.

Një zyrtar amerikan konfirmoi raportin për Reuters më 17 nëntor.

“Ai kërkoi mundësi. Ata i paraqitën atij skenarët dhe ai në fund të fundit vendosi të mos lëvizte përpara”, tha zyrtari. Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentojë raportet.

Trump thuhet se e bëri pyetjen pasi një raport nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se Irani po vazhdonte të zhvillonte uranium të pasuruar.

Objektivi më i mundshëm i një sulmi do të kishte qenë Natanz, ku IAEA raportoi se “rezervat e uraniumit të Teheranit tani ishin 12 herë më të larta” sesa lejohej sipas një marrëveshje historike të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore nga e cila Trump u tërhoq më 2018.

Trump, i cili ka refuzuar të pranojë humbjen dhe po sfidon rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, do të dorëzojë pushtetin te presidenti i zgjedhur demokrat, Joe Biden, më 20 janar.

Ekipi i tranzicionit i Bidenit nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje.

Administrata e Trump ka refuzuar të fillojë tranzicionin, duke ndaluar ekipin e Biden nga qasja në informacionet e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare. rel

Biden: Do të ketë më shumë vdekje nga COVID-19 nëse Trumpi vonon tranzicionin

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar se numri i të vdekurve nga koronavirusi do të rritet nëse presidenti, Donald Trump nuk ndan informacione mbi shpërndarjen e një vaksine me administratën e re, para ditës së inaugurimit më 20 janar.

“Më shumë njerëz mund të vdesin nëse nuk kemi koordinim”, tha Biden, më 16 nëntor, gjatë një konference për media nga shteti i tij në Dellauer kur u pyet për rreziqet që mund të paraqiten nëse nuk pranon informacione në kohë nga paraardhësi i tij.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të ndajë informacione të ndjeshme shtetërore me ekipin e Bidenit, duke pretenduar – pa prova – se votimet ishin të manipuluara.

Shtetet e Bashkuara po kalojnë valën e tretë, dhe më të keqe të koronavirusit. Numri i rasteve të reja tejkalojnë 130.000 në ditë.

Vendi ka të ngjarë të kalojë 250.000 vdekje nga COVID-19 deri në fund të javës, shifra më e lartë në të gjithë botën.

Dy kompani amerikane, gjatë javës së kaluar, kanë njoftuar se vaksinat e tyre janë më shumë se 90 për qind efektive kundër koronavirusit, duke rritur shpresat se sëmundja vdekjeprurëse mund të mposhtet shpejt. Kompanitë kanë thënë se vaksinat mund të jenë gati për shpërndarje brenda javësh.

Biden tha se shpërndarja e vaksinave – duke filluar me personat më të rrezikuar – do të ishte një “ndërmarrje e madhe “.

Pritja për të marrë detaje rreth planeve nga administrata Trump do të vononte shpërndarjen.

Biden tha se ekipi i tij po “ecë përpara” me planet e tyre, pavarësisht nga mungesa e koordinimit me administratën Trump.

Ai tha se nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, si anëtare e Komitetit të Senatit për Inteligjencën, ende merr azhurnime të inteligjencës nga Shtëpia e Bardhë.

Biden gjithashtu tha se po pranon gjithnjë e më shumë urime nga udhëheqës të huaj.

Presidenti i zgjedhur tha se ai shpresonte që anëtarët republikanë të Kongresit do të kundërshtojnë Trumpin lidhur me pretendimet e tij për manipulimet në zgjedhje dhe do ta nxisin presidentin të ndihmojë procesin e tranzicionin të pushtetit.

Ai gjithashtu tha se do të përpiqet të tejkalojë hendekun midis dy partive, duke shtuar se ai kishte një mandat nga populli për të gjetur kompromise në miratimin e legjislacionit.

“Mesazhi im është ky: unë do të punoj me ju. Unë e kuptoj shumë ngurrimin tuaj për shkak të mënyrës se si vepron [Trump]. Nëse duhet të presë deri në janar për t’u bërë funksional, kjo është turp, por ndoshta kjo është mënyra e vetme për të përfunduar këtë çështje “, tha ai.

Biden foli pas takimit me shefat ekzekutivë të kompanive kryesore amerikane, të tilla si Microsoft dhe General Motors, si dhe udhëheqësit e sindikatave të punës.

“Është vërtet inkurajuese që njerëzit – biznesi dhe fuqia punëtore – së bashku të bien dakord për rrugën përpara,” tha ai.

Presidenti i zgjedhur gjithashtu tha se ai do të mbështesë investimet në teknologji, duke përfshirë makinat elektrike, duke thënë se vendi duhet të bëhet lider në industri.

Biden u projektua fitues nga të gjitha mediat kryesore të SHBA-së, pasi rezultatet jozyrtare i dhanë atij më shumë se 270 votat e Kolegjit Zgjedhor, të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Trump dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash përkundër faktit se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se nuk panë prova të parregullsive serioze.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Doug Emhoff hyn në histori si i pari “Zotëria i Dytë“

Mariama Diallo

Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris pritet të hyjë në historinë e Shteteve të Bashkuara si gruaja e parë që merr këtë pozitë. Kjo nënkupton që burri i saj, Doug Emhoff, do të bëhet “zotëria i dytë“, i pari burrë që merr këtë epitet në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkëshorti i nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris do të hyjë në histori, duke u bërë i pari bashkëshort, që do të njihet si “zotëria i dytë” në Shtëpinë e Bardhë.

Ky është hap i madh drejt arritjes së barazisë gjinore, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePaw, ndërsa tregon se mbetet ende shumë për t’u bërë.

Kjo pasqyron arritjet pas sfidash prej disa dekadash në rolet gjinore. Por gjithashtu tregon se sa më larg duhet të shkojmë për të arritur barazi gjinore duke pasur parasysh faktin se kjo është hera e parë që kemi këtë situatë – 232 vite pas zgjedhjeve të para presidenciale, 100 vjet pas amendamentit të 19-të dhe 36 vjet pas hyrjes së një gruaje në një parti të madhe dhe në dyshen për president dhe nënpresident”, tha zonja Rowley.

Zoti Emhoff është burri i katërt që është bashkëshorti i një gruaje që është pjesë e dyshes presidenciale ose nënpresidenciale. Ishte dyshja Walter Mondale dhe Geraldine Ferraro më 1984, pasuar nga John McCain dhe Sarah Palin më 2008 dhe Hillary Clinton me Tim Kaine në 2016.

Zoti Emhoff vjen me shumë risi thotë Matthew Schmidt nga Universiteti New Haven.

Zoti Emhoff po e lë punën, gjë që e kanë bërë të gjitha zonjat e para dhe të dyta. Mendoj se është me rëndësi që Jill Biden nuk po e lë punën. Zoti Emhoff nuk është i krishter. Ai është një hebre dhe kjo është diçka e re. Sigurisht kemi një martesë të vonë që vjen pas divorcit, me një familje të përzier si nga raca edhe feja. Kjo i jep zonjës Harris epitetin ‘momala’”, thotë Matthew Schmidt, Profesor i Shkencave Politike dhe Sigurisë Kombëtare në Universitetin New Haven.

“Momala,” thotë zonja Harris është emri me të cilin e thërrasin nipërit e saj, përzierje e fjalëve “nënë“ dhe “Kamala”.

Javën që shkoi ajo postoi në Twitter një foto me bashkëshortin duke buzqeshur natën që Joe Biden u parashikua si fitues i zgjedhjeve. “Njihuni me dashurinë e jetës sime”, u tha ajo 11.5 milionë ndjekësve të saj.

Ai është treguar një bashkëshort i përgjegjshëm familjar. Prania e tij në publik gjatë fushatës tregoi dashurinë që ka për Kamala Harris, duke treguar se ai mund të përqëndrohet në dashurinë e tyre por edhe rolin e tij si burrë dhe baba”, thotë Sarah Rowley nga Universiteti DePauw.

Zonja Harris dhe zoti Emhoff janë takuar më 2013 dhe u martuan pas një viti. Kjo është martesa e parë e zonjës Harris dhe e dyta për zotin Emhoff. Fëmijët e tij janë në o.shën 20 vjeçare. Deri tani, 56 vjeçari ka folur pak për çështjet që ai do të ndjek si zotëria i dytë.

Matthew Schmidt, Universiteti New Haven

“Supozimi im bazohet në qëndrimin e tij gjatë fushatës. Ai ishte mjaft i qetë dhe mund ta shoh duke qëndruar në qetësi edhe në Shtëpinë e Bardhë“, thotë Matthew Schmidt, nga Universiteti New Haven.

Ndërsa shumë e shohin zonjën Harris si grua model, e njëjta gjë mund të shihet edhe tek zoti Emhoff i cili vuri karrierën e gruas së tij para të vetes.

Raporti i FBI-së: Krimet e urrejtjes u rritën me 2.7 për qind në 2019

Vitin e kaluar në SHBA krimet me bazë urrejtjen pësuan një rritje me 2.7 për qind, duke arritur nivelin e tyre më të lartë në më shumë se një dekadë, thuhet në një raport të ri të Byrosë Federale të Hetimit (FBI).

Në 2019 u shënuan 7,314 incidente të klasifikuara si krime urrejtjeje nga 7,120 në 2018, numri më i lartë i incidenteve të kësaj natyre që nga viti 2008, sipas raportit të publikuar të hënën.

Përkundër një rënie të lehtë në 2018, krimet me bazë urrejtjen u rritën me gati 21 për qind gjatë tre viteve të para të administratës së Presidentit Donald Trump, një periudhë që u shënua nga një gjallërim i një lëvizjeje gjithnjë e më të dhunshme të ekstremit të djathtë. Megjithëse zoti Trump i ka denoncuar supremacistët e bardhë, përfaqësuesit e organizatave që vëzhgojnë ekstremizmin, vërejnë se krimet me bazë urrejtjen janë rritur ndaj atyre grupeve të cilat kanë qenë objekt sulmesh nga presidenti. Për shembull krimet me bazë urrejtjen kundër anëtarëve të komunitetit hispanik në SHBA, u rritën me 53 për qind gjatë tre viteve të para në detyrë të zotit Trump, sipas të dhënave të FBI-së.

Rritjet e fundit të krimeve me bazë urrejtjen japin një panoramë të re, ku sulmet kundër grupeve viktima, jo vetëm që po rriten, por kjo rritje po nxitet gjithashtu nga një përhapje më e madhe e akteve më të dhunshme“, thotë Brian Levin, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në universitetin shtetëror të Kalifornisë.

FBI-ja përcakton si krime me bazë urrejtjen ato vepra penale të motivuara nga raca, etnia, origjina, feja, orientimi seksual, paaftësia fizike ose mendore, gjinia dhe identiteti gjinor.

Megjithëse shumica e krimeve me bazë urrejtjen nuk janë të dhunshme, raporti tregon një rritje të akteve të dhunshme si sulmet dhe vrasjet.

Vrasjet e motivuara nga urrejtja u dyfishuan në një shifër rekord prej 51 të tillash, të nxitura nga sulme të kryera nga supremacistët e bardhë, përfshirë masakrën e gushtit 2019 në një supermarket në El Paso të Teksasit, ku u vranë 23 persona.

Viti i kaluar shënoi rritjen e tretë radhazi të vrasjeve të motivuara nga urrejtja. Sipas të dhënave të përpiluara nga Qendra për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit, vrasjet e kryera nga supremacistët e bardhë dhe ekstremistët e tjerë të djathtë pësuan gjithashtu rritje për të tretin vit me radhë në 2019.

Këta vrasës racistë mbizotëruan kategorinë e përgjithshme të vrasjeve të motivuara nga ekstremizmi me një total më të lartë se të gjitha vrasjet me bazë ekstremizmin të kombinuara së bashku për vitin 2018“, thuhej në raportin e kësaj qendre.

Numri i sulmeve me pasoja të rënda, të nxitura nga urrejtja, u rrit për të gjashtin vit me radhë në nivelin më të lartë që nga viti 2001, sipas raportit të FBI-së. Vitin e kaluar u shënuan 866 sulme të rënda, nga 818 një vit më parë.

Sikurse në vitet e mëparshme, shumica e krimeve me bazë urrejtjen të raportuara në 2019 ishin të motivuara nga raca dhe etnia, ndjekur nga feja si një tjetër shkak.

Krimet e urrejtjes me bazë anti-semitizmin u rritën me 14 për qind, në 953 raste, niveli më i lartë që nga viti 2008. Sipas Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit “2019 ishte një nga dy vitet e dekadës së fundit me mbi 900 krime urrejtjeje që kishin për bazë anti-semitizmin”.

Krime e urrejtjes kundër hispanikëve u rritën me rreth 9 për qind, në 527 raste në 2019, numri më i lartë që nga viti 2010, ndërsa sulmet kundër komunitetit me origjinë arabe u rritën me 16 për qind në 95. Ndërkohë krimet e urrejtjes kundër myslimanëve ranë për të tretin vit me radhë, nga 188 në 176, pasi arritën kulmin me 308 raste në vitin 2016.

zëri i amerikës

Këshilltari i Presidentit Trump: Duket që ka fituar Joe Biden

Jeff Seldin

Një këshilltar i lartë i Presidentit Trump u duk se pranoi të hënën se nuk ka shumë të ngjarë që presidenti të shpallet fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit, megjithëse zoti Trump dhe ndihmës të tij të afërt ende shpresojnë për një mandat të dytë.

“Nëse vendoset se fituese ishte dyshja Biden-Harris, në fakt gjërat duket se po shkojnë në atë drejtim, do të bëjmë një tranzicion shumë profesional në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pa diskutim,” tha këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien gjatë Forumit për Siguri Globale, të zhvilluar përmes internetit.

“Fakti i mrekullueshëm është se në Shtetet e Bashkuara ne e kalojmë stafetën në mënyrë paqësore dhe me sukses edhe në periudhat më konfliktuale,” tha zoti O’Brien.

Komentet e zyrtarit të lartë vijnë në një kohë që Presidenti Trump vazhdon të këmbëngulë në median sociale se zgjedhjet u manipuluan dhe se ai duhet të shpallet fitues dhe jo rivali demokrat Joe Biden, të cilin e kanë shpallur fitues të pritshëm mediat amerikane.

“Demokratët e së majtës radikale, duke bashkëpunuar me partnerët e tyre, ‘Median e Lajmit të Sajuar’, po përpiqen të VJEDHIN zgjedhjet. Nuk do t’i lëmë,” tha presidenti, pak pas komenteve të zotit O’Brien.

“Unë i fitova Zgjedhjet!” shtoi presidenti në një tjetër postim në Twitter të hënën, ndërkohë që në një tjetër vuri në pikëpyetje vërtetësinë e procesit për numërimin e votave që vazhdon në shtetin Xhorxhia.

Kompania Twitter u ngjiti nga një etiketë me fjalët “në pikëpyetje” të tre postimeve të presidentit.

Të hënën, zoti O’Brien u duk se kishte zgjedhur një ton më të zbutur.

“Nëse ka një administratë të re, ata meritojnë të kenë një farë kohe në dispozicion para se të vijnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të fillojnë zbatimin e politikave të tyre,” tha ai. “Do të kenë njerëz shumë profesionistë që do të mbushin këto poste, shumë prej të cilëve kanë qenë më parë në detyra në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti O’Brien shprehu gjithashtu shpresën se si president, zoti Biden do të çojë më tej disa nga sukseset e Presidentit Trump, sidomos Marrëveshjet e Abrahamit mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara dhe Bahrenit.

“Nëse paditë e ngritura nuk përfundojnë me sukses për Presidentin Trump dhe presidenti i zgjedhur Biden bëhet presidenti i ardhshëm amerikan, shpresoj që administrata Biden-Harris do të vazhdojë të punojë për Marrëveshjet e Abrahamit,” tha ai gjatë forumit përmes internetit.

Ekipi i presidentit Trump ka ngritur një numër padish lidhur me fletëvotime në disa shtete të lëkundura. Por, të dielën ekipi hoqi dorë nga një element i rëndësishëm i padisë që kishte ngritur në Pensilvani në përpjekje për të ndalur çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Zyrtarët kanë thënë se akuzat e ngritura kanë të bëjnë tani me një numër të vogël fletëvotimesh në një shtet ku pritet që Joe Biden të dalë fitues me një diferencë prej më shumë se 60,000 votash.

Vetë presidenti vazhdon të ngulmojë publikisht me pretendime për manipulim votash dhe parregullsi të tjera, megjithëse ai dhe përkrahësit e tij nuk kanë ofruar prova për të mbështetur këto pretendime.

Të dielën u duk se presidenti e pranoi se rivali Joe Biden kishte fituar, por komentoi në Twitter se Biden “fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan” dhe se rivali demokat “ka fituar vetëm në sytë e MEDIAS SË LAJMEVE TË SAJUARA”.

“NUK PRANOJ ASGJË!” shtoi presidenti.

Ekipi i zotit Biden i kërkon administratës Trump të nisë tranzicionin e pushtetit

Michelle Quinn

Në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara numri i rasteve me koronavirus vazhdon të rritet, ekipi i tranzicionit i ish-Nënpresidentit Joe Biden, fituesi i parashikuar i garës presidenciale, po i kërkon administratës së Presidentit Trump të nisë këtë javë procesin e tranzicionit. Pengesat në këtë drejtim, sipas anëtarëve të ekipit të zotit Biden, do të rrezikonin vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.

Rastet me koronavirus po rriten kudo në SHBA. Por ndërkohë virusi është bërë pjesë e një drame politike, rreth asaj nëse Presidenti Donald Trump do të lejojë bashkëpunimin mes administratës së tij dhe ekipit që punon për Joe Bidenin, I parashikuar si fitues i garës presidenciale, e që do të inaugurohet më 20 janar të 2021.

Deri tani, Presidenti Trump, i cili vazhdon të pretendojë, por pa ofruar prova, për manipulim masiv të votave, nuk e ka lejuar fillimin e procesit të tranzicionit të administratës së re. Anëtarët e ekipit të zotit Biden thonë se kjo po vë në rrezik vendin ndërsa ndodhet në mesin e një vale pandemie.

Është në interesin kombëtar që ekipi i tranzicionit të njihet me informacionet rreth kërcënimit që paraqet pandemia, në mënyrë që të kuptojë planet e shpërndarjes së vaksinave, të dijë se ku janë rezervat, cila është gjendja me maskat e dorezat. Ka shumë informacione të cilat duhet të shpërndahen. Kjo nuk është një gjë që mund të bëhet në minutën e fundit“, thotë Dr. Atul Gawande, anëtar i bordit këshillimor të zotit Biden mbi çështje që lidhen me COVID-19-n.

Sipas gazetës The Washington Post, hera e fundit që Presidenti Trump ka marrë pjesë në takimet e grupit të punës mbi koronavirusin, ishte para pesë muajsh. Por, javën e kaluar, ai foli mbi kohën që do të duhet për prodhimin e një vaksine kundër COVID-19-s.

“Ky proces do të fillojë menjëherë, do të shpërndahen me miliona doza së shpejti. Ata janë gati në pritje të miratimit përfundimtar”, thotë Presidenti Donald Trump.

Admirali Brett Giroir, anëtar i grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin, thotë se informacionet rreth përpjekjeve të administratës Trump për të luftuar infeksionin janë ndarë gjerësisht me publikun, përfshirë dhe me anëtarët e ekipit të zotit Biden.

Dua të jem sa më transparent të jetë e mundur me të gjithë. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është një çështje që lidhet me shëndetin publik dhe shpëtimin e jetëve të amerikane. Mendoj se nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, thotë ai.

John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i zotit Trump, u bëri thirrje udhëheqësve republikanë të nxisin Shtëpinë e Bardhë të ndajë me administratën e zotit Biden informacione lidhur me virusin dhe sigurinë kombëtare.

Sërish mendoj se duhet që republikanët të shpjegojnë se është e pashmagshme që të ketë një tranzicion dhe se ai duhet të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur“, thotë ai.

Sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins në SHBA janë regjistruar mbi 11 milionë raste me koronavirus dhe rreth 246 mijë vdekje prej fillimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë në botë të banorëve të prekur me COVID-19.

Trump: Biden fitoi sepse vota u manipulua

Marrë nga Reuters

Presidenti Donald Trump duket se pohoi të dielën për herë të parë publikisht se rivali i tij demokrat Joe Biden i fitoi zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, por më pas u tërhoq duke thënë se nuk do ta pranojë humbjen.

Ai përsëriti në Twitter pretendimin e tij të pabazuar se vota ishte e manipuluar. “Ai fitoi sepse zgjedhjet u manipuluan,” shkroi Presidenti Trump.

Pak më vonë ai sqaroi: Biden fitoi vetëm në sytë e mediave të rreme, unë nuk pranoj asgjë. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Unë do të fitoj.

Komentet vijnë një ditë pasi dhjetëra mijëra mbështetës të Presidentit Trump vërshuan në kryeqytetin Uashington për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij për mashtrim zgjedhor.

Dje, autokolona e Presidentit kaloi nëpër turmën e njerëzve gjatë rrugës për tek fusha e tij e golfit, duke u përshëndetur me brohoritje nga demonstruesit. Pas kthimit në Uashington, autokolona përsëri u përshëndet me thirrje nga mbështetësit e tij, njoftoi televizioni Fox News.

Marshimi ishte kryesisht paqësor, por pasi u err, midis mbështetësve të presidentit Trump dhe antiprotestuesve pati përplasje të shumta. Një person u godit me thikë dhe 20 persona u arrestuan. Dy policë u plagosën.

Ekipi i zotit Trump ka ngritur padi që kërkojnë të përmbysin rezultatin në disa shtete, megjithëse pa sukses, dhe ekspertët ligjorë thonë se sfidat gjyqësore kanë pak shans për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Nga ana e tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, pritet të vazhdojë edhe sot privatisht takimet me këshilltarët rreth ndërtimit të kabinetit të ardhshëm dhe politikat që do të ndjekë pas betimit në 20 janar.

zëri i amerikës

Përleshje gjatë natës në Uashington DC midis militantëve pro Trump dhe grupeve antifashiste

VOAL – Përleshje gjatë natës në Uashington DC midis militantëve pro Trump dhe grupeve antifashiste. Policia ndërhyri në zona të ndryshme të qendrës për të ndarë fraksionet rivale dhe për të zbutur tensionin. Tani për tani, megjithatë, nuk është raportuar asnjë episod të dhunës serioze.

Përplasjet u paraprinë nga një njoftim pandemik nga vetë Trump në të cilin ai së pari evokoi mundësinë e humbjes së zgjedhjeve. Megjithatë, tani për tani presidenti nuk ka ndërmend të heqë dorë nga beteja e tij ligjore për votën, megjithë pengesat në rritje ligjore, nga Michigan në Pennsylvania. Ai duhet ta mbajë bazën e tij të galvanizuar, edhe për të parandaluar një humbje në votimin e Xhorxhias në fillim të janarit që çon në kalimin e Senatit në duart e demokratëve, duke hapur rrugën për axhendën e Joe Biden.

Për këtë arsye, duke lënë Shtëpinë e Bardhë për të luajtur golf, ai i lejoi vetes një banjë turme në limuzinë të blinduar presidenciale, siç bëri kur u shtrua në spital për Covid në Walter Reed.

“Donald” përshëndeti mbështetësit e tij të buzëqeshur nga dritaret, të cilët fjalë për fjalë hynë në një furi ndërsa ai kalonte, me flamuj, parulla, brohoritje dhe brohoritje.

Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden vazhdon të punojë me ekipin e tij në tranzicion në ekipin qeveritar dhe nuk përjashton mundësinë e mbështetjes nga disa senatorë të moderuar Republikanë për të përparuar axhendën e tij. ATS

Pas protestës pro-Trump në Washington, përleshje mes grupeve kundërshtare

 

Washington DC

Pas protestës pro presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, në orët e mbrëmjes në Washington ndodhën përleshje mes grupeve kundërshtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në rrugët e Washingtonit erdh deri tek trazirat pas protestave ku qindra mijëra njerëz morën pjesë për të mbështetur Trumpin dhe për të protestuar kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 3 nëntor.

Mbështetësit e Trumpit u përballën në një zonë pranë Shtëpisë së Bardhë me disa grupe të tillë si “Black Lives Matter-BLM” (Jeta e afroamerikanëve është e rëndësishme) dhe Antifa.

Krahas grindjeve verbale mes grupeve u vërejt se në disa pika u shënuan përleshje me përmasa të vogla. Në mediat sociale janë paraqitur pamje që tregojnë se në ngjarje është goditur me thikë një afroamerikan.

Bëhet e ditur se policia e kryeqytetit ka ndërhyrë menjëherë duke ndarë grupet dhe duke arrestuar 10 persona.

Gjatë ditës mbështetësit e Trumpit mbajtën në Washington marshimin “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, “Milion MAGA” (Make Amerika Great Again).

Ndërkohë edhe Trumpi ka falënderuar duke përshëndetur me dorë autokolonën me protestuesit që rrethonin Freedom Plaza.

Një pjesë e protestuesve pas fjalimeve të mbajtura kaluan në marshim drejt Gjykatës së Lartë.

Turma e mbledhur para Gjykatës së Lartë të SHBA-ve, me kapela dhe bluza me mbishkrimin MAGA dhe me flamuj në dorë brohoritën me sloganet pro Trumpit dhe bënë thirrje për zgjedhje të drejta dhe të pavarura.

Dhjetëra mijëra mbështetës të Trumpit protestuan në Uashington

Një javë pasi demokrati, Joe Biden, fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA, dhjetëra mijëra mbështetës të presidentit, Donald Trump, marshuan në Uashington, për të protestuar ndaj rezultateve, dhe për t’i bërë jehonë pretendimeve të tij – të pabazuara – për mashtrim zgjedhor.

Duke mbajtur flamuj dhe të veshur me kapele të stolisura me parullën e Trumpit “Make America Great Again – MAGA” (fraza e presidentit: E bëjmë Amerikën përsëri të madhërishme), demonstruesit marshuan nga një shesh afër Shtëpisë së Bardhë deri te Gjykata Supreme. Njerëzit brohorisnin “USA, USA” dhe “katër vjet më shumë” dhe mbanin shenja që shprehnin pakënaqësi me procesin e votimit.

Organizimi i protestës ishte promovuar shumë në mediat sociale dhe tërhoqi njerëz nga i gjithë vendi.

Trump shkroi në Twitter në lidhje me marshimin. Ai akuzoi mediat se nuk e kanë mbuluar atë. Në fillim të ditës ai kaloi para marshuesve me autokolonën e tij, duke buzëqeshur dhe duke i përshendetur. Trump po shkonte për të luajtur golf.

Marshimi, i cili përfshiu anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë “Proud Boys” (Djemtë Krenarë), ishte kryesisht paqësor gjatë ditës, por natën disa kundër-demonstrues dolën në rrugë dhe iu drejtuan mbështetësve të Trumpit me thirrjet: “Ju keni humbur!”.

Demonstrata kundër fitores së ngushtë të Bidenit, u mbajtën më 14 nëntor edhe në Florida, Miçigan dhe Arizona. Biden është projektuar si fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit bazuar në fitoret në mjaft shtete duke siguruar më shumë se 270 vota të Kolegjit Zgjedhor. Por, Trump ende nuk e ka pranuar rezultatin.

Ai dhe ekipi i tij ligjor kanë filluar një sërë sfidash ligjore, pavarësisht se zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin kanë thënë se ata nuk panë prova të parregullsive serioze. Trump ende nuk e ka mbajtur fjalimin e zakonshëm të humbjes, dhe është zotuar të vazhdojë me kundërshtimin. Avokatët e tij kanë filluar një seri betejash të ashpra ligjore kundër rezultateve në disa shtete dhe deri më tani nuk kanë arritur ndonjë sukses.

Për të siguruar rizgjedhjen, Trump do të duhet të përmbysë epërsinë e Biden në disa shtete, një rezultat që shumica e analistëve thonë se nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Fushata e Trump megjithatë shënoi një fitore ligjore më 14 nëntor kur një gjykatës i Pensilvanisë urdhëroi qarqet të mos numërojnë një numër të vogël të fletëvotimeve me postë, ose të rasteve kur votuesi nuk paraqiti identifikimin e vlefshëm në kohë.

Numri i fletëve të votimit besohet të jetë disa mijëra, të cilat janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin në Pensilvani, ku Biden mban një epërsi prej rreth 55,000 votash. Gjykatat në Pensilvani dhe dy shtete të tjera – Arizona dhe Miçigan – kanë hedhur poshtë padi të tjera. Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë, përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve thanë më 12 nëntor se nuk kishte “asnjë provë” që votat në ndonjë mënyrë ishin të komprometuara ose të ndryshuara.

Rrjetet televizive amerikane më 13 nëntor parashikuan rezultatet në dy shtetet e fundit të padeklaruara, duke thënë se Biden fitoi Xhorxhian në një garë jashtëzakonisht të afërt, dhe Trump siguroi fitore në Karolinën e Veriut.

Nëse rezultatet nga Xhorxhia qëndrojnë, Biden do të ketë një epërsi të gjerë 306-232 ndaj Trump në Kolegjin Zgjedhor. rel

Përpjekjet ligjore të ekipit elektoral të Presidentit Trump

Masood Farivar

Përpjekjet ligjore të Presidentit Donald Trump për të zhbërë fitoren e projektuar të demokratit Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, u zbehën të premten ndërsa gjykatat refuzuan akuzat për parregullsi në votim dhe për mashtrim.

Një gjykatës në Miçigan refuzoi një kërkesë të mbështetësve të Partisë Republikane për të parandaluar çertifikimin e rezultatit zgjedhor në zonën përgjithësisht demokrate të Detroidit, duke ulur kështu edhe shanset për një padi tjetër të ngjashme të paraqitur nga ekipi elektoral i Presidentit Trump.

Në Pensilvani, një tjetër gjykatës refuzoi disa padi të ekipit elektoral të Presidentit Trump për vlefshmërinë e disa mijëra votave të ardhura me postë. Ndërkohë në Arizona, ekipi elektoral i Presidentit Trump tërhoqi padinë për rezultatin zgjedhor duke pranuar kështu se avantazhi i zotit Biden ishte shumë i madh për t’u tejkaluar.

Këto tre shtete janë ndër gjashtë shtetet ku Presidenti Trump dhe mbështetësit e tij kanë paraqitur padi gjyqësore për rezultatet ndërsa projeksionet tregonin se zoti Biden kishte fituar bindshëm zgjedhjet, duke siguruar mjaftueshëm mbi 270 votat e Kolegjit Elektoral që nevojiten për të pretenduar fitoren.

Mbështetësit e Presidentit Trump duke protestuar në Uashington

Mbështetësit e Presidentit Trump duke protestuar në Uashington

Sfidat ligjore

Presidenti Trump, i cili ende nuk e ka pranuar fitoren e zotit Biden, është angazhuar në një betejë padish të dyshimta ligjore dhe pretendime të pabazuara në mediat sociale, në një përpjekje të sforcuar për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Të marra së bashku, zhvillimet e fundit nuk shkojnë në favor të shanseve të Presidentit Trump për të fituar zgjedhjet nëpërmjet pretendimeve të pabazuara për manipulime në masë, thonë ekspertët.

“Mendoj se këto padi mund të kuptohen më mirë si mënyrat me të cilat presidenti po komunikon me bazën e tij, se ai kundërshton rezultatin e zgjedhjeve dhe se vazhdon përpjekjen për të luftuar për përmbysjen e rezultateve”, thotë Louis Caldera, profesor i asociuar i jurisprudencës në Kolegjin Juridik të Uashingtonit në Universitetin Amerikan.

Ai shtoi se kjo nuk ishte “një përpjekje serioze për të ndryshuar në të vërtetë rezultatin e votimit në një numër të mjaftueshëm shtetesh që të ishin në gjendje të grumbullonin votat e Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e nevojshme që ai të fitonte zgjedhjet”.

Procesi gjyqësor i Miçiganit, i paraqitur të dielën nga një grup konservator, kërkoi që të skualifikoheshin qindra mijëra fletëvotime në Qarkun Wayne për shkak të mashtrimit të pretenduar dhe parregullsive të votimit. Sipas rezultateve jozyrtare, gati 73% e 565’484 votave në Qarkun Wayne shkuan për zotin Biden. Paditësit i kërkuan gjykatësit të urdhërojë një kontroll të pavarur dhe një palë zgjedhje krejtësisht të reja.

Por Kryetari i Gjykatës i distriktit të 3-të në Qarkun Wayne, Timothy Kenny, vendosi se pretendimet për “veprimtari të mbrapshta manipulimi që ndodhin haptazi…si dhe nën petkun e errësirës” u kundërshtuan nga vëzhgues të tjerë dhe zyrtarët e tjerë zgjedhorë, ndër ta edhe një ish-zyrtar “shumë i respektuar” i zgjedhjeve.

Ndalimi i procesit të çertifikimit tani do të përbënte “një ushtrim të paparë të aktivizmit gjyqësor”, shkruajti zoti Kenny në vendimin e tij, ndërsa kryerja e një kontrolli të pavarur do të vononte përpilimin e votave dhe “minonte besimin në sistemin zgjedhor”.

Një punonjëse e bashkisë mbledh votat me postë në një zonë të caktuar për njerëzit që dorëzojnë votën nga makina (Qarku Clark, Las Vegas, 2 nëntor 2020)

Një punonjëse e bashkisë mbledh votat me postë në një zonë të caktuar për njerëzit që dorëzojnë votën nga makina (Qarku Clark, Las Vegas, 2 nëntor 2020)

Vota elektorale

Ndërsa sfidat ligjore të Presidentit Trump janë duke u lëkundur, një numër aktivistësh konsevatorë të afërt me presidentin kanë hedhur idenë se legjislaturat shtetërore të kontrolluara nga republikanët mund të refuzojnë votën popullore dhe të japin votën e Kolegjit Elektoral për Presidentin Trump.

Ideja u theksua edhe më shumë javën e kaluar pasi gazetari i rrjetit “Fox News” Mark Levin u bëri thirrje ligjvënësve republikanë që, “bëhuni gati dhe bëjeni detyrën tuaj kushtetuese”, ndërsa u kujtoi atyre se Artikulli II i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara u jep atyre “fjalën e fundit” për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Elektoral.

Kur amerikanët hedhin votën e tyre në zgjedhjet e përgjithshme, ata nuk po votojnë për vetë kandidatët, por më tepër për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor.

Neni II i Kushtetutës u jep legjislaturave të shteteve fuqinë për të përcaktuar “mënyrën” e emërimit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, organi që zgjedh presidentin. Pra, janë 538 anëtarë të Kolegjit Zgjedhor që zgjedhin presidentin, që korrespondon me numrin e anëtarëve të Kongresit.

Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor mblidhen me 14 dhjetor për të votuar për fituesin e votës popullore në shtetin e tyre. Duke supozuar se ata respektojnë vullnetin e votuesve në shtetet e tyre përkatëse, zoti Biden ka siguruar 290 vota elektorale, 20 më shumë se minimumi i kërkuar për të fituar presidencën, sipas shifrave të Zërit të Amerikës. Presidenti Trump ka fituar 232.

I pyetur në kanalin televiziv “Fox News” më 6 nëntor lidhur me perspektivën e ligjvënësve republikanë në Pensilvani për të zgjedhur anëtarë të Kolegjit Elektoral që mbështesin zotin Trump, Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, një aleat i ngushtë i Presidentit Trump dhe kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, tha “mendoj se gjithçka duhet të jetë në tryezë.”

Ndërsa nuk e përjashtojnë si mundësi, ekspertët ligjorë thonë se gjasat që legjislaturat shtetërore të kërkojnë të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve mbeten të vogla.

Kjo për faktin se Kushtetuta nuk përcakton që anëtarët e Kolegjit Elektoral duhet të zgjidhen në bazë të votës popullore. Prej mbi një shekulli, të 50 shtetet amerikane kanë zgjedhur anëtarët e Kolegjit Elektoral përmes zgjedhjeve popullore.

Suvenire nga mbështetësit e sistemit të Kolegjit Elektoral gjatë Konventës Republikane

Suvenire nga mbështetësit e sistemit të Kolegjit Elektoral gjatë Konventës Republikane

Veprimi legjislativ

Për t’i dhënë votat elektorale zotit Trump, legjislaturat në shtetet fushëbetejë, me mbështetjen e guvernatorëve, duhet të ndryshojnë ligjet për emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

“Thjeshtë të thuash se do të emërojmë republikanë si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, pa ndryshuar ligjin e atij shteti, do të nënkuptonte veprime në shkelje të ligjit të atij shteti”, thotë profesori i ligjeve Louis Caldera. “Nga ana tjetër, demokratët do të thonin se veprimi i ndërmarrë nga legjislatura shkel ligjin e shtetit, dhe ata do të kërkonin që gjykata të shqyrtojë këto veprime.”

Nga gjashtë shtetet ku republikanët kanë sfiduar votimet, tre prej tyre, Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsin, kanë legjislatura të kontrolluara nga republikanët dhe guvernatorë demokratë.

Ekspertë të tjerë ligjorë thonë se çdo ndryshim në metodën e emërimit do të duhej bërë përpara dhe jo pas zgjedhjeve.

“Legjislatura ka gjithmonë të drejtën për të bërë ndryshime për herën tjetër, por nuk mundet, të paktën pa shkelur klauzolën e procesit të rregullt të Kushtetutës – të zhbëjë emërimin e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që është bërë tashmë,” shkruan në një hulumtim mbi ligjet Edward Foley, ekspert për ligjin zgjedhor dhe profesor i drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

Miçigan, gjykata refuzon padinë e ekipit të Presidentit Trump

Një gjykatë në shtetin Miçigan refuzoi të premten një kërkesë nga mbështetësit e presidentit amerikan Donald Trump për të bllokuar çertifikimin e votave dhe emërimin e një audituesi të pavarur në Detroit, ku u votua në masë pro Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Vendimi shënon një hap prapa për Presidentin Trump dhe republikanët që po përpiqen të përmbysnin fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke penguar zyrtarët të vërtetojnë rezultatet e zgjedhjeve.

“Do të ishte një ushtrim i pashembullt i aktivizmit gjyqësor nëse kjo gjykatë ndalon procesin e çertifikimit në qarkun Uejn nga ana e bordit të numërimit të votave,” shkruante Timothy Kenny, kryegjyqtar i Qarkut të Tretë Gjyqësor të Miçiganit që përfshin Detroitin.

Në padinë gjyqësore pretendohej për mashtrim dhe parregullsi në votim, të cilat Qarku i Uejnit i ka mohuar.

Gjyqtari i hodhi poshtë pretendimet, duke shkruar: “Interpretimi i ngjarjeve nga paditësi është i pasaktë dhe jo i besueshëm”.

Ai vuri në dukje se akuzat, të tilla si inkurajim nga punonjës të adminsitratës së qytetit që njerëzit tua jepnin votën demokratëve, nuk mbështeteshin në hollësi të tilla si vendi ose koha kur kishin ndodhur ngjarje të tilla.

Gjyqtari tha gjithashtu se një person që kishte paraqitur dëshmi nën betim, kishte postuar në Facebook para zgjedhjeve pretendimin se demokratët po përdornin pandeminë si mbulesë për të mashtruar në zgjedhje. Kjo sipas gjyqtarit e dëmtonte dëshminë dhe besueshmërinë e personit në fjalë.

Të mërkurën, ekipi i Presidentit Trump ngriti një padi të ngjashme në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Miçiganit.

Fushata dhe republikanët kanë ngritur gjithashtu padi në shtetet Xhorxhia, Pensilvani dhe Uiskonsin me synimin për të bllokuar çertifikimin e rezultateve zgjedhore.

Studiuesit e ligjit kanë thënë se proceset gjyqësore që sfidojnë rezultet e zgjedhjeve janë më të efektshme nëse ngrihen në gjykatat e shteteve e jo të qarqeve dhe se vendimi i Gjykatës së Qarkut Uejn mund të minojë përpjekjet e ekipit të zotit Trump në gjykatën federale.

Miçigani pritet t’i çertifikojë rezultatet më 23 nëntor. zëri i amerikës

Rinumërimi nuk ndryshon rezultatin, Joe Biden fiton Xhorxhian, Trump merr Karolinën e Veriut

Joe Biden tashmë duket se ka vulosur fitoren e tij në SHBA duke marrë edhe shtetin e Georgia-s. Mediat ndërkombëtare me në krye BBC dhe CNN shkruajnë se rezultati nuk ndryshon në fushë-betejën me 16 vota elektorale dhe Biden fiton sërish ndaj Trump duke u bërë demokrati i parë pas 28 vitesh që e merr këtë shtet deçiziv.

Nga ana tjetër Trump ka marrë Karolinën e Veriut dhe me këto rezultate mbyllet dhe përfundimisht gara në SHBA.  Biden në total ka marrë 306 vota elektorale kurse 232. Rinumërimi i votave në Georgia duket se s’ka ndryshuar gjë kurse në Pensilvani nuk do të ketë diçka të tillë.

Biden duket se me të gjitha gjasat betohet në janar si Presidenti i 46-të i SHBA kurse Trump në rast se nuk fiton nëpërmjet Gjykatës së Lartë po mendon të rikandidojë më 2024.bw

Presidenti i zgjedhur Biden konsolidon fitoren

Presidenti i zgjedhur Joe Biden konsolidoi fitoren e tij në zgjedhje duke marrë të enjten vonë shtetin fushëbetejë të Arizonës.

Megjithatë procesi i tranzicionit të administratave mbetet i bllokuar pasi Presidenti Donald Trump refuzon të pranojë humbjen.

Numërimi i votave në Arizona zgjati më shumë se një javë. Zoti Biden bëhet kandidati i dytë demokrat për president në shtatë dekada që fiton në këtë shtet tradicionalisht republikan.

Fitorja e zotit Biden në Arizona i jep atij 290 vota elektorale në Kolegjin Zgjedhor, i cili në SHBA përcakton fituesin.

Ai kishte kaluar tashmë pragun e 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral, për të fituar zgjedhjet. Të 11 votat shtesë të Arizonës e bëjnë edhe më të vështirë çdo sfidë të paraqitur nga Presidenti Trump për të përmbysur rezultatin e përgjithshëm.

Zoti Biden gjithashtu ka një epërsi prej më shumë se 14,000 votash në shtetin Xhorxhias, ku numërimi është në fazat e fundit dhe ku është gati e sigurt se rezultati i përgjithshëm do të qëndrojë në favor të kandidatit demokrat megjithë një rinumërim e votave me dorë që fillon sot.

Në shkallë vendi, zoti Biden ka fituar votën popullore me më shumë se 3.4 për qind ose 5.3 milion vota ndaj rivalit të tij.

Presidenti Trump, pretendon pa paraqitur prova, se në zgjedhjet e 3 nëntorit ka patur mashtrim në shkallë të gjerë, por sfidat e tij ligjore kanë dështuar në gjykatë dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve nuk raportojnë parregullsi serioze.

Për të qëndruar në detyrë për një mandat të dytë, zotit Trump do t’i duhej të përmbyste epërsinë e rivalit të tij në të paktën tre shtete, por në asnjërin prej tyre nuk ka paraqitur prova që të mund ta arrijë këtë.

zëri i amerikës

California, shteti i dytë në SHBA me 1 milion raste me COVID-19

Washington DC

California është bërë shteti i dytë amerikan pas Texas-it që tejkalon 1 milion raste të koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Universiteti Johns Hopkins ka regjistruar 1.000.631 raste në këtë shtet, i cili ka më shumë se 18.100 vdekje.

Texas-i tejkaloi shifrën një milion të mërkurën herët dhe aktualisht ka më shumë se 1.023.000 infeksione dhe mbi 19.400 viktima.

Në javët e fundit, më shumë shtete, si Nevada, Wisconsin, Massachusetts dhe Maryland, kanë nxitur njerëzit të qëndrojnë në shtëpi vullnetarisht.

Rastet e reja të përditshme të koronavirusit në vend kanë vazhduar të lëvizin mbi 100.000 për javën e kaluar, me më shumë se 143.000 të regjistruara të mërkurën.

SHBA vazhdon të jetë vendi më i goditur nga virusi, duke regjistruar më shumë se 10,5 milionë raste dhe mbi 240.000 vdekje.

Mbi 4 milionë njerëz në SHBA janë shëruar nga sëmundja deri tani.

Biden fiton në Arizona

Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale në shtetin e Arizonës, raportuan mediat amerikane më 12 nëntor.

NBC, CBS, ABC, dhe CNN e shpallën fitues Bidenin në këtë shtet, i cili ka 11 vota elektorale, pas pothuajse një javë që kur u mbajtën zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.

Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump 217.

Sipas rregullave në SHBA, që një kandidat të zgjidhet president, i duhen 270 vota elektorale.

Fox News dhe The Associated Press më 3 nëntor kishin thënë se Biden do të fitojë në Arizona, që nxiti kritika të ashpra nga Trump.

Deri më 12 nëntor, Biden po printe në Arizona me 49,4 kundrejt 49,1 për qind të votave që kishte Trump.

Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve që ta fitojnë në këtë shtet, që për shumë vite me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve.

Demokratët po ashtu kanë fituar ulësen e Senatit, pasi kandidati i tyre në Arizona, Mark Kelly ka mposhtur senatoren Martha McSally.

Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që ka fituar në Arizona. Për herë të fundit, Bill Clinton kishte fituar në Arizona në zgjedhjet e vitit 1996.

Pavarësisht se Biden më 7 nëntor u shpall fitues i zgjedhjeve, fushata e presidentit Trump ka nisur betejat ligjore për të përmbysur rezultatin në disa shtete, me pretendime të pabazuara se ka pasur mashtrime zgjedhore.

Biden po ashtu prin sa i përket votave popullore. Ai deri më tani ka fituar 5,3 milionë vota.

Aktualisht, për shkak të garës së ngushtë në Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut, fituesi në këto dy shtete nuk është shpallur ende. rel

Bashkimi Evropian përgëzon Joe Bidenin

Marrë nga Associated Press

Shefi i politikës së Jashtme, Josep Borrell, përgëzoi për fitoren historike, siç e quajti ai, të dyshes Biden-Harris. Ai shprehu optimizëm për të ardhmen e marrëdhënies SHBA – BE dhe për një tranzicion pushteti pa probleme në Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian të mërkurën tha se priste marrëdhënie më të mira me Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe shprehu shpresën se tranzicioni presidencial nuk do të ketë probleme.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell përgëzoi ngrohtësisht “Joe Biden-in dhe Nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre historike” dhe tha se blloku prej 27 vendesh priste marrëdhënie më të mira sesa nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.

Nuk është sekret që në 4 vitet e fundit gjërat janë ndërlikuar në marrëdhëniet tona“, u tha zoti Borrell ligjvënësve në Parlamentin Evropian.

Të dyja palët, megjithëse aleate të hershme, nuk u pajtuan rreth temave kryesore, si tregtia, siguria dhe lufta kundër ndryshimit të klimës.

BE-ja pritet ta ftojë zotin Biden së shpejti në biseda me videokonferencë në një përpjekje për t’i dhënë një shtysë të re aleancës transatlantike.

Mund t’ju siguroj se ne jemi të gatshëm të angazhohemi shpejt me administratën e re“, tha zoti Borrell.

Por ai gjithashtu aludoi për problemet politike në Shtetet e Bashkuara ku Presidenti Trump ende nuk ka pranuar humbjen.

Zoti Biden po përparon me këmbëngulje me përgatitjet për presidencën e tij.

Ende duhet të presim deri në 20 janar sepse siç e dini shumë mirë është një tranzicion mjaft i gjatë përpara. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tranzicion me probleme“, tha zoti Borrell.

Presidenti Trump ka shtangur dhe zhgënjyer në mënyra të ndryshme evropianët – shumica anëtarë të aleancës ushtarake të NATO-s që udhëhiqet nga Amerika – duke vendosur tarifa për eksportet e BE-së, duke u tërhequr nga marrëveshja e klimës së Parisit dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.


Send this to a friend