VOAL

VOAL

Mediat amerikane: Demokratët kanë fituar njërin balotazh në Xhorxhia

Demokrati Raphael Warnock fitoi një balotazh të ashpër ndaj senatores amerikane, republikanes Kelly Loeffler, në shtetin e Xhorxhias, kanë raportuar mediat amerikane të mërkurën, por cila parti do të kontrollojë Senatin mbetet ende e paqartë pasi rezultatet e një balotazhi të dytë ende nuk dihen.

Rezultatet e dy zgjedhjeve të balotazhit në shtetin e Xhorxhias në SHBA për ulëse në Senat do të përcaktojnë ekuilibrin e fuqisë në Uashington.

Në balotazhin tjetër kanë garuar demokrati, Jon Ossoff dhe senatori republikan, David Perdue.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të mos dihen për disa ditë, pasi qarqet duhet të numërojnë një numër të madh fletëvotimesh përmes postës.

Balotazhet në Xhorxhia janë shumë të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.

Nëse demokratët fitojnë të dyja ulëset, Senati do të ndahet 50-50, dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që gëzon të drejtën e votës mund t’i sigurojë demokratëve kontrollin e Senatit. Demokratët tashmë kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sigurimi i një shumice në Senat do të rrisë shanset që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjendën e tij legjislative. Republikanët duhet të fitojnë vetëm një nga garat për të mbajtur pushtetin.

Këto zgjedhje në Xhorxhia kanë nxjerrë në pah ndasitë e ashpra politike dhe kanë mobilizuar të dyja palët, si në asnjë garë tjetër për ulëse në Senatit në vitet e fundit.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe ai aktual, Donald Trump, bënë fushatë në këtë shtet më 4 janar, duke shpresuar që të mblidhnin votuesit në qendrat e votimit nëse ata nuk kishin hedhur votat e tyre me postë ose në votime të hershme.

Biden ka thënë se banorët e Xhorxhias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.

Republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue aktualisht mbajnë dy vendet e Xhorxhias në Senat.

Republikanët aktualisht kanë 52 nga 100 vendet e Senatit. rel

Certifikimi i votave elektorale në Kongres, përballë besnikëve të presidentit

Patsy Widakuswara

Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të mblidhen të mërkurën në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Ky veprim rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues në këtë cikël zgjedhor, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit. Ja çfarë pritet gjatë seancës.

Si Zhvillohet Zakonisht Seanca?

Në bazë të Amendamentit të 12-të, të dyja Dhomat e Kongresit mblidhen për të numëruar dhe certifikuar rezultatin e Kolegjit Elektoral bazuar në votat e 50 shteteve dhe të kryeqytetit, Uashington.

Përfaqësues republikanë e demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve caktohen si “zëdhënës” të secilës Dhomë. Nënpresidenti Mike Pence, në kapacitetin e presidentit të Senatit, drejton seancën. Në mungesë të tij, senatori më me vjetërsi në partinë që ka shumicën, në këtë rast Senatori republikan Chuck Grassley nga Ajova, udhëheq seancën.

Ndihmës në Senat – nxënës nga shkolla të mesme nga të gjithë SHBA – sjellin kuti druri të mbushura me votat elektorale të certifikuara nga të 50 shtetet. Zyrtari që drejton seancën hap punimet dhe prezanton certifikatat e vulosura sipas radhës alfabetike. “Zëdhënësi” i secilës Dhomë lexon certifikatën me zë të lartë për të regjistruar zyrtarisht numrin e votave.

Procesi vazhdon deri kur të gjitha votat të jenë prezantuar dhe numëruar. Më pas, drejtuesi i ceremonisë njofton kush ka siguruar shumicën për president dhe nënpresident.

Si pritet të zhvillohet seanca këtë radhë?

Në një përpjekje të fundit për të mbajtur Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, më shumë se 100 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi 10 në Senat kanë thënë se do të kundërshtojnë numrimin e votave elektorale nga gjashtë shtete të lëkundura që i fitoi zoti Biden (Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini ) dhe do të kërkojnë ngritjen e një komisioni për një auditim të rezultateve zgjedhore.

Pjesa më e madhe e senatorëve që kanë në plan të kundërshtojnë përfaqësojnë shtete ku Presidenti Trump mbetet shumë popullor.

Kjo sfidë pritet të dështojë pasi demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të bashkuar në mbështetje të zotit Biden. Senati, megjithëse kontrollohet me një shumicë të vogël nga republikanët, nuk ka gjasa të votojë në favor të këtyre manovrave, pasi një numër senatorësh republikanë kanë thënë se janë kundër tentativave për të mos përfshirë votat elektorale të ndonjë shteti.

Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, do të kthehet në një seancë të tejzgjatur.

Jason Grumet, president i Qendrës për Politika Dypartiake e quan këtë manovër të republikanëve “shumë shqetësuese”.

“Nuk është konservatore, nuk është partiake, nuk është patriotike,” tha zoti Grumet. “Kjo është një përpjekje egoiste nga disa politikanë ambiciozë që po sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, të cilat sipas shumë burimesh janë zhvillur shumë në rregull”.

Ekipi zgjedhor i presidentit dhe aleatët e tij kanë ngritur 61 padi për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në një numër shtetesh. Ata kanë humbur 60 prej padive, pasi nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimet për manipulime apo parregullsi.

Çfarë roli ka luajtur presidenti në këtë situatë?

Presidenti, i cili ka siguruar 232 vota elektorale krahasuar me 306 që fitoi zoti Biden, nuk e ka pranuar humbjen. Ai u ka bërë presion republikanëve në Kongres dhe zyrtarëve të përmbysin rezultatin, shpesh duke përdorur forcën e popullaritetit të tij në elektorat, duke kërcënuar republikanët se mund t’u dëmtojë shanset e rizgjedhjes në të ardhmen.

Presioni i presidentit dëgjohet qartë në telefonatën e së shtunës ku i kërkon republikanit Brad Raffensperger, sekretar i shtetit në Xhorxhia të “gjej” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Gabriel Sterling, menaxher i aplikimit të procesit zgjedhor në Xhorxhia, tha se sekretari i shtetit e publikoi regjistrimin e bisedës “i nxitur nga synimi për të qenë sa më i kujdesshëm” duke pasur parasysh klimën politike dhe veprimet e presidentit në të kaluarën.

“Nganjëherë ai (Presidenti Trump) nuk i interpreton gjërat ashtu siç ndodhën,” tha zoti Sterling.

Zoti Trump, i cili i quan republikanët që refuzojnë ta mbështesin atë “Grupi i të Dorëzuarve”, gjithashtu i bëri thirrje zotit Pence të ndërmarrë veprime për të përmbysur zgjedhjet, pavarësisht se kushtetuta amerikane e përcakton rolin e Nënpresidentit në numërimin e votave elektorale të shteteve kryesisht si ceremonial.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1346488314157797389))

“Shpresoj që nënpresideti ynë i madh do të na mbështesë. Ai është një burrë i shkëlqyeshëm”, tha Trump në një tubim në Xhorxhia të hënën në mbrëmje. “Sigurisht, nëse ai nuk na mbështet, kjo nuk do të më pëlqente shumë.”

Presioni nga Presidenti e ka vendosur në një pozitë të vështirë Nënpresidentin Pence, i cili deri më tani ka demonstruar besnikëri të palëkundur ndaj zotit Trump.

David C. Barker, drejtori i Qendrës për Studime mbi Kongresin dhe Presidencën në Universitetin Amerikan, tha se nëse zotin Pence dëshiron të jetë një kandidat me peshë për president në 2024, ai mund të duhet të bashkohet me korin e ligjvënësve republikanë që vazhdojnë të mbështesin Presidentin Trump.

“Ai mund të arrijë në përfundimin se për të ka më rëndësi ndërgjegja sesa karrierën e tij”, tha zoti Barker. “Do ta shohim”, shtoi ai.

Presidenti gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington të mërkurën, duke bërë që kryetarja e bashkisë së qytetit t’u bëjë thirrje banorëve që “të mos të përballen me protestuesit që vijnë në qytetin tonë duke kërkuar konfrontim”.

Të martën në mbrëmje, Trump tha se ai planifikon të mbajë një fjalim para protestuesve jashtë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën.

A ka ndodhur kjo më parë?

Demokratët filluan kundërshtime në shkallë të vogël dhe jetëshkurtër ndaj numërimit të votave elektorale në 2001, 2005 dhe 2017.

Në vitin 2001, dhjetra anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve u përpoqën të kundërshtonin votat elektorale të Floridës, shteti ku Nënpresidenti Al Gore humbi garën ndaj republikanit George W. Bush me një diferencë të vogël, pas një beteje të rinumërimit të votave që u vendos nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Në cilësinë e tij si president i Senatit, Gore hodhi poshtë kundërshtimet dhe e shpalli zotin Bush fitues të zgjedhjeve.

Në 2005, senatorja demokrate nga Kalifornia, Barbara Boxer së bashku me ligjvënësen demokrate nga Ohajo, Stephanie Tubbs Jones kundërshtuan votat elektorale të shtetit të Ohajos. Kjo përpjekje dështoi me një diferencë të madhe në të dyja dhomat e kongresit dhe nuk u mbështet madje as nga kandidati demokrat për president, John Kerry.

Disa demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtuan votat për zotin Trump në disa shtete në vitin 2017, por u kundërshtuan nga Nënpresidenti i atëhershëm Joe Biden.

Kundërshtimi nuk ka gjasa të ketë sukses, por çfarë ndodh nëse ka sukses?

Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë që sfida të rezultojë në heqjen e disa prej votave elektorale të zotit Biden, duke i ulur ato nën pragun prej 270 votash elektorale të nevojshëm për të fituar presidencën.

Sipas amandamentit të 12-të të Kushtetutës, nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave elektorale, Dhoma e Përfaqësuesve kërkohet që të filloi një seancë menjëherë për të zgjedhur presidentin.

“Nuk ka absolutisht asnjë shans që kjo përpjekje, e cila në thelb është teatër politik, të parandalojë Joe Biden-in të bëhet president i Shteteve të Bashkuara”, thotë zoti Grumet nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Por zoti Grumet tha se kjo përpjekje është e dëmshme për demokracinë amerikane.

“Precedentët e vegjël të këqij shpesh bëhen precedentë të mëdhenj të këqij”, tha zoti Grumet. “Shpresojë se ne nuk kemi krijuar një traditë qënë thelb ia mundëson palës humbëse të vërë në dyshim legjitimitetin e dhjetëra miliona votuesve amerikanë.”

Kundërshtimi ka thelluar gjithashtu përçarjen midis republikanëve tradicionalë dhe atyre populistë që po përpiqen të marrin drejtimin e partisë.

“6 janari do të jetë hapi i parë në një përpjekje afatgjatë për të përcaktuar shpirtin e Partisë Republikane”, thotë anketuesi republikan Whit Ayers.

Ajo që pason do të varet nga ajo që bën Presidenti Trump pasi të largohet nga detyra, tha zoti Ayers. “Sa aktiv do të mbetet dhe sa ndikim politik do të ketë në kohën kur nuk do të ketë fuqinë e presidencës në dispozicion të tij”, shtoi ai.

Kur do të përfundojë kjo sfidë?

Pavarësisht votimit të certifikimit që mund të zvarritet për ditë me radhë dhe disa sfidave ligjore të presidentit ende në pritje të vendimeve nga gjykata, më 20 janar, Shtëpia e Bardhë me siguri thuajse të plotë do të ketë një banor të ri pasi zoti Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Xhorxhia, zyrtarët zgjedhorë përgënjeshtrojnë postimin e presidentit

Marrë nga Reuters

Zyrtarët zgjedhorë në Xhorxhia që po ndjekin balotazhin për dy vendet e këtij shteti në Senat, iu kundërpërgjigjën një postimi të Presidentit Trump në Twitter ku ai ngrinte shqetësime për probleme me makinat e votimit. Zyrtarët reaguan duke thënë se megjithë problemet e hershme në një komunë, zgjedhjet po ecin në rregull.

Të martën pasdite Presidenti Trump shkruante në Twitter se “kemi marrë njoftime nga distrikti i 12-të elektoral se makinat e kompanisë Dominion nuk po punojnë mirë prej një ore në disa zona që votojnë për republikanët. Fletëvotimet janë lënë në kuti, shpresojmë se do të numërohen”. Komenti u përhap 45,000 herë nga përdorues të Twitterit.

Zyra e Sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger u përgjigj me një deklaratë se megjithëse u raportuan disa probleme, ato nuk penguan votimet dhe problemet ishin zgjidhur para orës 10.

“Votimet nuk u ndalën në asnjë moment. Zgjedhësit vazhduan të hedhin votat në përputhje me procedurat që përcakton ligji në Xhorxhia në rrethana të tilla,” thoshte njoftimi.

Gabriel Sterling, menaxher për sistemet e votimit në Xhorxhia, tha përmes Twitterit se një defekt në sistem ishte ndrequr shumë shpejt, duke shtuar “Më vjen keq, zoti President, por ke marrë informata të vonuara”.

Në median sociale janë përhapur pretendime që lidhin kompaninë Dominion me akuza për manipulim në zgjedhjet e 3 nëntorit ku Presidenti Trump humbi përballë demokratit Joe Biden.

Agjencia e lajmeve Reuters dhe grupe të tjera mediatike kanë ofruar prova që hedhin poshtë këto pretendime, të cilat nuk janë shoqëruar me dëshmi të mirëfillta. Makinat e kompanisë Dominion u përdorën në 24 nga 50 shtetet amerikane në zgjedhjet e nëntorit, ndër to edhe në shtete ku Presidenti Trump fitoi.

Një zëdhënëse e kompanisë Dominion tha të martën se kompania do të paraqiste pa vonesë padi kundër juristes Sidney Powell lidhur me pretendimet për probleme të makinave zgjedhore. Ajo shtoi se kompania po mban të gjitha opsionet të hapura për padi të tjera.

Pretendimet e presidentit se humbja e tij në nëntor ishte rezultat i manipulimit të zgjedhjeve është hedhur poshtë nga zyrtarë shtetërorë e federalë si dhe nga një numër gjykatash.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Trump e kanë cilësuar këtë cikël votimesh si “më të sigurtin në historinë amerikane”. VOA

Uashingtoni paralajmëron protestuesit të mos sjellin armë dhe të mos provokojnë dhunë

Marrë nga Reuters

Zyrtarët e qytetit në Uashington i paralajmëruan të hënën mbështetësit e Presidentit Donald Trump që të mos sjellin armë në protestat e kësaj jave kundër çertifikimit nga Kongresi të humbjes së tij, ndërsa janë thirrur për ndihmë edhe trupat e Gardës Kombëtare për të ruajtur rendin.

“Kemi marrë disa informacione se ka individë që synojnë të sjellin armë në qytetin tonë dhe kjo nuk do të tolerohet,” tha për median Shefi i Policisë Metropolitane Robert Contee, ndërsa shtoi se ata që do të bënin një gjë të tillë, ose që të provokonin dhunë, do të arrestohen.

Më shumë se 300 trupa do të mbështesin qeverinë e qytetit, duke siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmuar shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësve, thuhet në një deklaratë të Gardës Kombëtare të Uashingtonit. Në përpjekje do të marrin pjesë edhe forcat e rendit nga disa agjenci federale dhe shtetërore, tha zoti Contee.

Kryeqyteti amerikan ka disa nga ligjet më të rrepta për armët dhe ndalon mbajtjen hapur të armëve ose mbajtjen pa leje të pistoletës.

Mijëra mbështetës të zotit Trump, përfshi disa nacionalistë të ekstremit të djathtë, që kanë mbajtur hapur armët në protesta në vende të tjera, pritet të bashkohen në kryeqytetin amerikan duke filluar nga e marta për të kundërshtuar çertifikimin nga Kongresi të mërkurën të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga demokrati Joe Biden.

Zoti Contee tha se protestat mund të jenë më të mëdha se ato të nëntorit dhe dhjetorit, gjatë të cilave pati përleshje me thika dhe përplasje të tjera, ndërsa qindra pjestarë të grupit “Proud Boys” që e cilësojnë veten “shovinistë perëndimorë” dhe besnikë të tjerë të zotit Trump, u përleshën me kundër-protestuesit dhe kërkoni të përlesheshin me aktivistë të “antifës”(anti-fashistët) dhe aktivistë të lëvizjes “Black Lives Matter”.

Të hënën, policia metropolitane arrestoi udhëheqësin e grupit “Proud Boys”, Henry “Enrique” Tarrio dhe ngriti akuza ndaj tij për shkatërrim prone në lidhje me një protestë të mëparshme. Tarrio kishte në zotërim dy karrikatore me kapacitet të lartë në kohën e arrestimit, tha policia ndërsa ngirit akuza edhe për këtë rast.

TRUMP DO TË FLASË NË TUBIM

Presidenti Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në tubimet e kësaj jave, duke shkruar në Twitter të dielën se, “Do të jem aty” dhe të premten shkroi “Do të jetë e madhe”. Disa tubime janë planifikuar për të mërkurën, përfshi një pranë Kongresit amerikan.

Shtëpia e Bardhë nuk ka ofruar ndonjë agjendë zyrtare, por një individ i informuar mbi planet tha se Presidenti Trump do të flasë para mbështetësve me 6 janar në parkun që ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti pretendon në mënyrë të gabuar se zoti Biden i fitoi zgjedhjet përmes manipulimit masiv të votave, edhe pse dhjetëra vendime gjykatash federale dhe shtetërore, zyrtarë shtetërorë të zgjedhjeve nga të dy partitë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë gjetur ndonjë mashtrim të madh.

Në bazë të kushtetutës Kongresi duhet të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, në atë që normalisht do të ishte një formalitet i mbikëqyrur nga Zëvendës Presidenti Mike Pence.

Por të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 ligjvënës republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve janë zotuar të votojnë kundër çertifikimit të fitores së zotit Biden, duke cituar pretendimet e Presidentit Trump për mashtrime zgjedhore.

Përpjekja e tyre nuk do të ndryshojë rezultatin, tha në një konferencë shtypi Kryebashkiakja demokrate e Uashingtonit Muriel Bowser.

“Kushtetuta jonë do të qëndrojë. Joe Biden dhe Kamala Harris do të jenë presidenti dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara kur të inaugurohen me 20 janar”. Zonja Bowser u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit, ku dritaret e zyrave, restoranteve dhe hoteleve janë ende të mbuluara me dërrasa që nga protestat e verës kundër dhunës racore.

Para arrestimit të tij, Tarrio i grupit “Proud Boys” tha në median sociale se një numër rekod anëtarësh do të marrin pjesë, duke sugjeruar se ata mund të vishen me të zeza sikurse aktivistët e antifës. “Ne do të jemi të panjohur dhe do të shpërndahemi në qendër të Uashingtonit në grupe të vogla,” tha ai.

Hoteli Harrington dhe restoranti Harrys përkarshi, të frekuentura nga pjestarë të grupit “Proud Boys” gjatë protestave të mëparshme, do të mbyllen të martën dhe të mërkurën. “Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë ndodh jashtë hotelit, ne po ndërmarrim hapa shtesë për të mbrojtur sigurinë e vizitorëve, mysafirëve dhe punonjësve tanë,” thuhet në faqen e hotelit në internet. VOA

Xhorxhia voton në zgjedhjet e balotazhit që do të përcaktojnë kontrollin në Senat

Ken Bredemeier

UASHINGTON – Sot në Xhorxhia po zhvillohen garat e balotazhit për dy vende në Senatin amerikan, që do të përcaktojnë nëse republikanët, apo demokratët do të jenë në kontroll.

Senatori republikan David Perdue po përballet me demokratin Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televizivë, ndërsa senatorja republikane Kelly Loeffler, një nga ligjvënëset më të pasura në vend, është në garë kundër kandidatit demokrat, pastorit Raphael Warnock.

Sondazhet përpara ditës së zgjedhjeve tregojnë se dy demokratët kanë avantazhe të ngushta në garë. Të dy balotazhet u bënë të nevojshme pasi asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e duhur në raundin e parë të zgjedhjeve në nëntor.

Pjesëmarrja në votime pritet të jetë jashtëzakonisht e lartë, me më shumë se 3 milionë vota të hedhura në votimet e hershme. Pesë milionë vota u hodhën në Xhorxhia në zgjedhjet e nëntorit, por rreth 100,000 njerëz që nuk votuan atëherë e kanë hedhur votën e tyre tashmë në balotazh. Senatit.

Kur do të numërohen votat?

Asnjë nga fletët e hedhura gjatë votimit të hershëm nuk do të numërohet deri të martën dhe fituesit zyrtarë, ka të ngjarë të mos mësohen natën e zgjedhjeve.

Zyrtarët thonë se votimi i hershëm ishte veçanërisht i lartë në zonat ku Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden fitoi në nëntor, por republikanët thonë se presin të kenë më shumë vota të hedhura fizikisht të martën.

Ky ishte skenari në nëntor në Xhorxhia dhe në të gjithë vendin, kur shumë më shumë demokratë votuan herët, ndërsa më shumë republikanë votuan fizikisht në ditën e zgjedhjeve. Për shkak se votat e hershme marrin më shumë kohë për t’u numëruar, Presidenti Donald Trump u duk se ishte përpara në Xhorxhia natën e zgjedhjeve, por përfundimisht humbi në këtë shtet.

Kush e kontrollon Senatin Amerikan tani?

Republikanët aktualisht kanë një avantazh 50-48 në Senat. Një fitore e republikanëve në një, ose të dyja garat në zgjedhjet e së martës, do t’i jepte partisë një shumicë të qartë dhe të drejtën për të vendosur axhendën e Senatit dhe për të mbajtur shumicën në të gjitha komisionet legjislative të Senatit.

Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënresidentes së zgjedhur Kamala Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese në rast të një votimi të barabartë, në favor të demokratëve për organizimin e komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.

Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të komplikonte miratimin e reformave legjislative të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke detyruar ndoshta negociata gjithpërfshirëse për çështje të tilla si shkalla e përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të imigracionit dhe vendosja e rregulloreve për ndryshimet klimatike.

Tubimet e së hënës

Si Presidenti i zgjedhur Bidene dhe Presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në Xhorxhia në një përpjekje të fundit për të bindur votuesit.

“Forca është në duart tuaja”, tha zoti Biden. “Si asnjëherë tjetër në karrierën time, një shtet mund të përcaktojë kursin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme.”

Democratic candidates for Senate Jon Ossoff (L), Raphael Warnock (R) and US President-elect Joe Biden (C) wave from stage during a rally outside Center Parc Stadium in Atlanta, Georgia, on January 4, 2021. - President Donald Trump, still seeking ways to r

Democratic candidates for Senate Jon Ossoff (L), Raphael Warnock (R) and US President-elect Joe Biden (C) wave from stage during a rally outside Center Parc Stadium in Atlanta, Georgia, on January 4, 2021. – President Donald Trump, still seeking ways to r

Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në atë shtet. “Tani, kemi nevojë që ju të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai.

Trump bëri fushatë më vonë të hënën në një qark republikan në Dalton, në pjesën veriore të shtetit, duke u thënë mbështetësve se zgjedhjet mund të ishin “shansi i tyre i fundit për të shpëtuar Amerikën që duam”.

“E majta ekstreme dëshiron të shkatërrojë vendin tonë, të shkatërrojë historinë tonë dhe të fshijë gjithçka që ne duam”, tha presidenti Trump. “Kjo mund të jetë vota më e rëndësishme, që do të hidhni ndonjëherë në jetën tuaj.”

President Donald Trump arrives to speak at a campaign rally for Sen. Kelly Loeffler, R-Ga., and David Perdue at Dalton Regional Airport, Jan. 4, 2021, in Dalton, Ga.

President Donald Trump arrives to speak at a campaign rally for Sen. Kelly Loeffler, R-Ga., and David Perdue at Dalton Regional Airport, Jan. 4, 2021, in Dalton, Ga.

Ai gjithashtu vazhdoi kritikat e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në Xhorxhia, që refuzuan të përmbysnin humbjen e tij të ngushtë ndaj Bidenit në shtet, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ai fitoi dhe se vota ishte “e manipuluar”.

Zyrtarët e Xhorxhias hedhin poshtë pretendimet e Trumpit për mashtrime

Numërimi fillestar i votave në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe dy rinumërime më pas, treguan se zoti Biden fitoi.

Në një telefonatë të shtunën, Trump i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të këtij shteti, Sekretarit të Shtetit Brad Raffensperger, një republikan, të gjente 11,780 vota të tjera për të përmbysur rezultatin.

Por zoti Raffensperger hodhi poshtë kërkesën e Trump-it dhe të hënën i tha kanalit ABC News se presidenti “thjesht e ka gabim” kur flet për parregullsi zgjedhore në Xhorxhia.

Kryebashkiakja e Uashingtonit aktivizon Gardën Kombëtare për protestën e mbështetur nga Trumpi

Marrë nga Associated Press

Kryebashkiakja e kryeqyetit amerikan Uashington, bëri thirrje për qetësi të hënën ndërsa rreth 340 trupa të Gardës Kombëtare po aktivizoheshin në prag të përgatitjes së qytetit për protesta që mund të kthehen të dhunshme, ndërsa Kongresi pritet të votojë për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, Kryetarja e Bashkisë Muriel Bowser bëri kërkesën ditën e Vitit të Ri që trupat e Gardës Kombëtare të vendosen në rrugët e Uashingtonit nga 5 janari deri me 7 janar, për të ndihmuar qytetin me protestat. Zyrtari tha se anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit do të përdoren për kontrollin e trafikut, por nuk do të jenë të armatosur apo me mburoja ushtarake.

Kongresi po mblidhet këtë javë për të çertifikuar rezultatet e Kolegjit Elektoral ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka mbështetur protestat.

Gjatë një konference shtypi të hënën, zonja Browser u bëri thirrje njerëzve që të qendrojnë larg kryeqytetit amerikan dhe të mënjanojnë konfrontimet me këdo që “kërkon ngatërresa”. “Ne nuk do të lejojmë njerëzit që të nxisin dhunë, të frikësojnë banorët tanë apo të shkaktojnë shkatërrime në qytetin tonë.”

Qyteti do të ketë nëpër rrugë 115 trupa të gardës, tha zyrtari i mbrojtjes, i cili dha detaje në kushte anonime. Zyrtari tha se pjesëtarët e Gardës do të përdoren për të ngritur pika kontrolli përreth qytetit dhe do të bashkëpunojnë me policinë e qytetit në të gjitha stacionet e metrosë. Shefi i policisë në detyrë Robert Contee tha se trupat e gardës do të përdoren për të menaxhuar turmat.

“Të dhënat tona të zbulimit sugjerojnë se do të ketë rritje të numrit të pjesmarrësve në protestë,” tha zoti Contee. “Ka njerëz që synojnë të vijnë në qytetin tonë të armatosur.”

Meqenëse kryeqyteti amerikan nuk ka guvernator, komandanti i Gardës Kombëtare të qytetit është Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy. Çdo kërkesë e Uashingtonit për dislokimin e gardës duhet të marrë miratimin e tij.

Zyrtari i mbrojtjes tha se nuk do të ketë trupa ushtarake në qytet dhe se ushtria amerikane nuk do të ofrojë mjete ajrore apo të dhëna të zbulimit. Garda e Uashingtonit do të ofrojë ekipe të specializuara që do të jenë të përgatitura të reagojnë ndaj incidenteve të mundshme kimike apo biologjike. Zyrtari tha gjithashtu se garda nuk do të ketë pjestarë të saj në parkun kombëtar të Uashingtonit apo në zonën përreth Kongresit amerikan. VOA

SHBA, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 shkon në pothuajse 21 milionë

Washington

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 358.704, prej të cilëve 2.254 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 287.062, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 20.906.094.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 12.360.000 të infektuar, ndërsa numri i testeve ka shkuar në mbi 256,7 milionë.

Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me pothuajse 2,4 milionë raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 38.244 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 10,32 milionë raste dhe Brazili me mbi 7,7 milionë.

Trump paralajmërohet kundër përfshirjes së ushtrisë në transferimin e pushtetit

Shtëpia e Bardhë në Uashington

 

Dhjetë ish-sekretarë amerikanë të Mbrojtjes kërkuan nga Pentagoni që të angazhohet në një tranzicion paqësor të pushtetit në SHBA dhe paralajmëruan për rreziqet e përfshirjes së ushtrisë amerikane në tranzicion.

Ish-shefat e Pentagonit, përfshirë dy të emëruar nga presidenti në largim, Donald Trump, i bënë komentet në një artikull të botuar në gazetën Washington Post.

Zgjedhjet në SHBA dhe transferimi paqësor i pushtetit “janë shenja dalluese të demokracisë sonë”, thanë ata dhe i bënë thirrje shefit aktual të Pentagonit, Christopher Miller, që të përmbahet nga luajtja e ndonjë roli në përpjekjet e Trumpit për të mbetur president.

“Përpjekjet për të përfshirë forcat e armatosura të SHBA-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, do të na çonin në një territor të rrezikshëm, të paligjshëm dhe antikushtetues”, shkruan ata, duke shtuar se zyrtarët që kanë kërkuar ta bëjnë këtë, mund të përballen me pasoja të rënda profesionale dhe kriminale.

Shkrimi iu atribuohet dhjetë ish-sekretarëve amerikanë të Mbrojtjes: Ashton Carter, Leon Panetta, William Perry, Dick Cheney, Donald Rumsfeld, William Cohen, Robert Gates, Chuck Hagel, James Mattis dhe Mark Esper. Mattis dhe Esper janë emëruar nga Trump.

Ata thanë se tranzicionet e pushtetit shpesh mund të jenë një moment kur kombi është i cenueshëm ndaj “veprimeve të kundërshtarëve, që përpiqen të përfitojnë” nga pasiguritë në lidhje me sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Duke i pasur parasysh këta faktorë, sidomos në kohën kur forcat amerikane janë të angazhuara në operacione aktive në të gjithë botën, është më se e domosdoshme që tranzicioni në Departamentin e Mbrojtjes të kryhet plotësisht, në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente”, thanë ish-sekretarët.

Ata shtuan se koha për të vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit ka kaluar dhe kujtuan se së shpejti do të bëhet numërimi zyrtar i votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi i ri.

“Zgjedhjet janë zhvilluar. Numërimet dhe auditimet janë kryer. Sfidat e duhura janë adresuar nga gjykatat. Guvernatorët kanë vërtetuar rezultatet. Dhe, Kolegji Zgjedhor ka votuar”, thanë ish-shefat e Pentagonit.

Sipas sistemit amerikan, votuesit në fakt votojnë për “zgjedhësit”, të cilët pastaj votojnë për të ratifikuar rezultatin. Kolegji Zgjedhor e ka ratifikuar fitoren e demokratit Joe Biden më 14 dhjetor.

Kongresi pritet t’i verifikojë votat e Kolegjit Zgjedhor më 6 janar. Procedura normalisht është formale, por ajo ka rëndësi të shtuar këtë vit, pasi disa kongresistë republikanë – aleatë më Trumpin – kanë thënë se do ta sfidojnë numërimin e votave, në përpjekje për të zhbërë fitoren e Bidenit.

Duke i cituar akuzat e pabaza të Trumpit për mashtrime në zgjedhje, republikanët kanë thënë se do të kërkojnë krijimin e një komisioni të posaçëm për të bërë “një kontroll të jashtëzakonshëm 10-ditor” të rezultateve të zgjedhjeve në disa shtete. Plani, megjithatë, pritet të dështojë.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe është fiksuar në rezultatet e zgjedhjeve në disa shtete, përfshirë Xhorxhian, ku ka humbur me rreth 12,000 vota përballë Bidenit.

Në fundjavë, gazeta Washington Post ka publikuar audio-incizime të një bisede telefonike, që supozohet se Trump ka zhvilluar me zyrtarin e lartë të zgjedhjeve në Xhorxhia. Trump mund të dëgjohet duke thënë se dëshiron të “gjejë” vota të mjaftueshme, që do t’ia siguronin fitoren në Xhorxhia.

Trump ka vazhduar të bëjë pretendime për mashtrime në zgjedhje, edhe pse gjykatat i kanë hedhur poshtë gati të gjitha rastet ligjore, të paraqitura nga ekipi dhe aleatët e tij.

Përgatiti: Valona Tela

Nancy Pelosi rizgjidhet kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve

VOA

Nancy Pelosi u zgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën në mandatin e saj të katërt, me një shumicë më të ngushtë të demokratëve dhe me shumë sfida para vetes.

“Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, është nderi im i madh të kryesoj këtë ritual të shenjtë të rizgjedhjes, ndërsa mblidhemi nën kupolën e këtij tempulli të demokracisë…”, tha zonja Pelosi pas votimit.

Demokratja nga Kalifornia, e cila ka udhëhequr partinë e saj në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2003 dhe është gruaja e vetme kryetare, mori 216 vota.

Demokratët humbën 11 vende në zgjedhjet e nëntorit dhe aktualisht gëzojnë kontrollin e kësaj dhome me shumicë më të ngushtë 222 me 212.

Para betimit të zonjës Pelosi, përfaqësuesi Don Young, një republikan nga Alaska, bëri thirrje për unitet.

“Sinqerisht, , nuk më pëlqen ajo që shoh. Është koha t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit dhe të flasim me njëri-tjetrin”, tha ai ndërsa u prit me duartrokitje.

“Ju do të jeni kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve – jo e partisë,” shtoi ai, duke iu drejtuar zonjës Pelosi.

Zonja Pelosi mirëpriti seancën e re të Kongresit, duke theksuar rëndësinë e rolit të ligjvënësve ndërsa vendi lufton pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar prej saj. Ajo tha se ligjvënësit po marrin përsipër përgjegjësi shumë kërkuese.

“Secili prej komuniteteve tona është prekur në mënyrë drastike nga kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike: 350 mijë vdekje tragjike, secila prej tyre një trishtim që ne mbajmë në zemrat tona; mbi 20 milionë infeksione; miliona pa punë…”, tha ajo.

Zonja Pelosi gjithashtu u bëri nderime në fjalën e saj ligjvënësve Elijah Cummings dhe John Lewis, dy përfaqësues me vite të gjata shërbimi, të cilët vdiqën më 2019 dhe 2020, dhe Ruth Bader Ginsburgut, gjykatëse e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila gjithashtu vdiq në vitin 2020.

Para se të fliste në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjes së zonjës Pelosi, udhëheqësi i pakicës, Kevin McCarthy, shkroi në twitter, se “Kongresi i fundit ishte një dështim. Në fakt, ai ishte Kongresi më pak produktiv në gati 50 vjet. Populli amerikan meriton më mirë”.

“Unë do të doja të mund të thosha se shumica në Kongres është e përkushtuar për ndryshime në të mirën e përbashkët dhe për t’u përqendruar në atë që ka vërtet rëndësi, por unë jam i shqetësuar se veprimet e hershme po flasin për drejtim të gabuar”, tha ai në fjalimin e tij. Zoti McCarthy mori 209 vota në garën për kryetarin e Dhomës kundrejt zonjës Pelosi me 216.

Për herë të parë që nga muaji maj, ligjvënësit duhej të ishin të pranishëm për votim në Kongres, në vend të votimit nga distanca që ishte vendosur për shkak të pandemisë. Votimi zgjati disa orë ndërsa ligjvënësit u sollën në sallë në grupe të vogla për të shmangur mbledhjen e më shumë vetave në një vend.

Kongresi i ri përballet me shumë sfida, mes tyre pandeminë që deri më tani u ka kushtuar me jetë më shumë se 350 mijë amerikanëve dhe me ripërtëritjen e ekonomisë amerikane.

Zonja Pelosi, 80 vjeçare, la të kuptohet se pas kësaj periudhe dyvjeçare nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryetare e Dhomës, në përputhje me një marrëveshje të bërë me demokratët në vitin 2018 të cilët dëshironin që ajo të largohej si kryetare që atëherë.

Presidenti Trump presion zyrtarit të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

VOA

Presidenti Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai ka humbur. Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të zotit Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.

Gazeta “Washington Post”, e cila të dielën publikoi fragmente të telefonatës, që zgjati një orë mes zotit Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, gjithashtu republikan, tha se zoti Trump paralelisht e mburrte, i lutej dhe e kërcënonte zotin Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Gazeta tha se gjatë gjithë telefonatës zoti Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij, i kishin hodhur poshtë pohimet e zotit Trump. Zoti Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta. Pjesë nga telefonata e regjistruar të botuara nga gazeta e konfirmonin një gjë të tillë.

“Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar”, tha zoti Trump, sipas një fragmenti të shkëputur nga regjistrimi i telefonatës, botuar në internet nga gazeta The Washington Post. “Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet“.

Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin“, shprehej zoti Trump gjatë telefonatës së regjistruar, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në këtë shtet.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente. Po kështu edhe zyra e tranzicionit e zotit Biden nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këtë çështje.

Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj zotit Biden. Por që prej asaj kohe zoti Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin.

SHBA, arrin në mbi 350 mijë numri i vdekjeve nga COVID-i

VOA

Të dielën në Shtetet e Bashkuara u shënuan të dhëna shqetësuese lidhur me pandeminë e koronavirusit, ndërsa numri i vdekjeve tejkaloi 350 mijë rastet. Nju Jorku iu bashkua Kalifornisë, Teksasit dhe Floridës me më shumë se një milion raste të regjistruara. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Illinois.

Pandemia e koronavirusit vazhdon të sfidojë Shtetet e Bashkuara edhe në ditët e para të vitit të ri.

Sistemi shëndetësor i Kalifornisë është i mbingarkuar. Ambulancat presin me orë për të dorëzuar pacientë të rinj.

Qarku i Los Anxhelosit është pa diskutim epiqendra e pandemisë në ShBA.

Drejtoresha e Departamentit të Shëndetit Publik në këtë qark ka një kërkesë për banorët.

Nuk po u kërkojmë njerëzve që të mos takojnë familjarët për gjithë jetën. Po u kërkojmë të mos takohen gjatë javëve të ardhshme ndërsa shpërndajmë vaksinën”, thotë Dr. Barbara Ferrer, Drejtore e Departamentit të Shëndetit Publik në Los Anxhelos.

Zyrtarët në Karolinën e Veriut po ndërtojnë spitale të inprovizuara për të rritur kapacitetet. Në Masaçusets, që nga dita e falenderimeve, numri i pacientëve të shtruar në spital është rritur me 60 për qind .

Gjatë tre ditëve të fundit, kemi tejkaluar numrin e pacientëve që kishim në spital në pranverë“, thotë Dr. Eric Dickson.

Katër shtete ende nuk kanë vaksinuar as një përqind të popullësisë.

Në qarkun Knox të Ohajos, gjysma e departamentit të shëndetësisë dhe 60 për qind e punonjësve të urgjencës zgjodhën që për momentin të heqin dorë nga vaksina.

Nuk do t’i detyrojmë por donim të kishim më shumë pajtueshmëri”, thotë Mike Dewine, Guvernator i shtetit të Ohajos.

Por shumë janë të etur për t’u vaksinuar. Kryetari i Bashkisë së Hjustonit vizitoi klinikën e parë publike të vaksinimit, e cila planfikonte shpërndarjen e 750 vaksinave, por nevojat janë për 250 mijë të tilla.

Do na duhet të shkojmë në qendra të mëdha të furnizimit”, thotë Sylvester Turner.

Sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins ShBA ka mbi 20 milionë e 430 mijë të infektuar me COVID-19 dhe mbi 350 mijë viktima që nga fillimi i pandemisë.

Vandalizohet shtëpia udhëheqësit republikan dhe shtëpia e udhëheqëses demokrate

Mediet amerikane thanë se vandalët shënjestruan shtëpitë e udhëheqësit republikan të Senatit, Mitch McConnell dhe kryetares demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Ku janë paratë e mia” dhe “Mitch po vret të varfrit” ishte shkruar në derën dhe dritaren e shtëpisë së zotit McConnell në Louisville të Kentuckyt.

Media lokale raportoi se një kokë derri dhe gjak i rremë ishin lënë para shtëpisë së zonjës Pelosi në San Francisco me 2 janar.

Shtëpitë u vunë në shënjestër pas debatit mbi një ndihmë për përballen me COVID-19.

Një paketë ndihmash prej 900 miliardë dollarësh u miratua më në fund në prag të Krishtlindjes, kur Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët miratoi një rritje të ndihmës nga 600 në 2 mijë dollarë.

Por Senati i udhëhequr nga republikanët nuk e miratoi rritjen, me gjithë thirrjet e furishme për ta bërë këtë nga presidenti Donald Trump.

Zoti McConnell i quajti mbishkrimet një “zemërim radikal” dhe shtoi se “vandalizmi dhe politika e frikës nuk kanë vend në shoqërinë tonë”. VOA

Gara për Senatin në Xhorxhia, rekord votash në procesin e hershëm

VOA

Një rekord prej 3 milionë votash janë hedhur në procesin e hershëm të votimit për dy garat për Senatin në shtetin e Xhorxhias, të cilat rezultuan më 3 nëntor në balotazh. Ato do të jenë përcaktuese se cila parti do të kontrollojë Senatin.

Shifrat e pjesëmarrjes, të përpiluara nga Projekti amerikan i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës, tregojnë interesim të madh të votuesve në zgjedhjet e së martës (5 janar). Këto gara vendosin përballë senatorët republikanë në detyrë David Perdue dhe Kelly Loeffler, kundër sfiduesve demokratë Jon Ossoff dhe Raphael Warnock.

Nëse republikanët fitojnë njërën ose të dyja këto vende, ata do të vazhdojnë të ruajnë shumicën ndonëse të lehtë në Senat, duke u mundësuar atyre të bllokojnë axhendën e Presidentit demokrat Joe Biden, i cili pritet të betohet më 20 janar.

Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, dhoma do të ndahet në 50 me 50, duke i dhënë rëndësi votës së Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris, e cila është përcaktuese në rastet e një votimi 50 me 50 në Senat.

Mbi 3 milionë votat e parakohshme përbëjnë rreth 38.8% të të gjithë votuesve të regjistruar në këtë shtet, sipas Projektit të Zgjedhjeve. Kjo bën që pjesëmarrja të shënojë një nivel rekord për një balotazh në Xhoxhia, duke tejkaluar 2.1 milionë vota të hedhura gjatë garës për Senatin në këtë shtet në 2008.

Garat përfunduan në balotazh pasi më 3 nëntor asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues.

Votimi i hershëm përfundoi të enjten. Xhorxhia publikoi informacione në lidhje me numrin e njerëzve që votuan, por nuk do t’i numërojë votat deri në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkohë zoti Perdue është futur në karantinë së fundmi pasi ka patur kontakte me një person që ka rezultuar pozitiv për koronavirus.

SHBA, republikanët e Senatit rrëzojnë veton e Presidentit Trump

VOA

Republikanët e Presidentit Donald Trump në Senat rrëzuan të premten veton e tij ndaj një projektligji për mbrojtjen, duke iu kundërvënë kundërshtimeve të tij të forta.

Kjo shënon herën e parë gjatë katër viteve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë që republikanët e Senatit hedhin poshtë veton e tij ndaj një projektligji.

I mbledhur në një sesion të pazakontë për ditën e parë të Vitit të Ri, Senati votoi 81 me 13 duke arritur shumicën e nevojshme me dy të tretat për të tejkaluar veton presidenciale me mbështetje nga të dyja partitë, vetëm dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin të dielën. Tetë veto të mëparshme të presidentit janë mbështetur prej tyre.

Ligjvënësit republikanë kanë qëndruar kryesisht pranë presidentit gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Që nga humbja e zgjedhjeve në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar ata për faktin që nuk i mbështetën plotësisht pretendimet e tij të pabaza për mashtrim elektoral, që refuzuan kërkesën e tij për ndihmë më të madhe financiare ndaj familjeve amerikane në vështirësi dhe që po anashkalojnë veton presidenciale.

Senati i udhëhequr nga republikanët shqyrtoi në mesditë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë dollarësh, të cilin zoti Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj, sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë.

Akti për Mbrojtjen financon shumë projekte qeveritare, që nga numri i anijeve që prokurohen e deri te pagesat për ushtarët dhe masat për të përballuar kërcënimet gjeopolitike.

Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.

Presidenti Trump refuzoi ta nënshkruante atë në ligj sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë. Presidenti gjithashtu kundërshtonte një dispozitë që u heq bazave ushtarake të vendit emrat e gjeneralëve të luftës civile amerikane që luftonin në emër të Konfederatës së shteteve të jugut.

Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.

Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.

Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.

Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.

Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar.

Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.

Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve.

Senatori republikan kundër “marifeteve të rrezikshme” për të përmbysur zgjedhjet

Marrë nga Associated Press

Senatori republikan nga Nebraska, Ben Sasse lëshoi një kritikë të fortë të enjten ndaj përpjekjeve të republikanëve për të kundërshtuar më 6 janar vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi garën presidenciale, duke paralajmëruar kolegët rreth asaj që ai e quajti “manovër të rrezikshme” që mund të dëmtojë traditat e qeverisjes së vendit.

Zoti Sasse, një pretendent i mundshëm për president për garën e vitit 2024, postoi një shpjegim të gjatë të pikëpamjeve të tij në mediat sociale, përfshirë rrëzimin e pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve në shtetet kryesore që u fituan nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Zoti Sasse tha se e ndjente për detyrë të thoshte “të vërtetën” pasi zgjedhësit si dhe ata që mbështesin Presidentin Donald Trump donin të dinin se ku qëndronte ai mbi këtë çështje.

“Nuk do të marr pjesë në një plan për të përmbysur zgjedhjet”, shkruante zoti Sasse. Ai tha se donte të shpjegonte “se pse u bëj thirrje kolegëve që të refuzojnë këto marifete të rrezikshme”.

Zoti Trump, presidenti i parë që humbet garën për një mandat të dytë në pothuajse 30 vjet, ia ka atribuar humbjen e tij manipulimeve të gjera me votat, pavarësisht se zyrtarët jopartiakë të zgjedhjeve i kanë hedhur poshtë këto pretendime. Ai i ka shtyrë senatorët republikanë të hetojnë rreth akuzave të tij të pabazuara edhe pse Kolegji Zgjedhor këtë muaj çimentoi fitoren e zotit Biden me 306 vota elektorale si dhe në një kohë kur përpjekjet e shumta ligjore të tij për të sfiduar rezultatin, kanë dështuar. VOA

Trump, Biden japin mesazhe me rastin e Vitit të Ri

VOA

Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, Presidenti Donald Trump reflektoi rreth arritjeve tij, duke i quajtur ato “fitore historike”, ndërsa pasardhësi i tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, dha një ton optimist për vitin 2021.

Pas disa javë përpjekjesh për të fituar betejën për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, republikani Trump tha në një video të postuar në Twitter: “Njerëzit duhet të na kujtojnë për atë që është bërë”.

Zoti Trump, i cili ende nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen në zgjedhjet e nëntorit ndaj rivalit demokrat, u kthye në Uashington nga vendpushimi i tij në Florida më herët se sa ishte planifikuar.

Ndërkohë, duke folur nga shteti Delauer, Presidenti i zgjedhur Biden shprehu nderim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe inkurajoi njerëzit që të vaksinohen. Ai i bëri komentet gjatë një paraqitjeje të shkurtër me gruan e tij, Jill Biden, në një program special të televizionit ABC.

“Unë kam absolutisht besim të plotë se ne do të rikthehemi dhe do të rikthehemi edhe më të fortë se më parë”, tha zoti Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar.

Ai përsëriti thirrjen që vaksinat të shpërndahen më shpejt.

Presidenti Trump, i cili u prek vetë nga koronavirusi në tetor, shpesh e minimizoi rrezikun e pandemisë. Shumë ekspertë të shëndetësisë e kanë kritikuar përgjigjen e tij ndaj pandemisë si të paorganizuar, duke thënë se në disa raste ai nuk përfilli shkencën që shpjegon transmetimin e virusit.

Por në komentet e tij ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar një vaksinë për COVID-19 në kohë rekord dhe se ai e parashikoi saktë se vaksina do të dilte para mbarimit të vitit.

Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga vendet më të goditura nga COVID-19, me më shumë se 340,000 vdekje, që i atribuohen zyrtarisht koronavirusit.

Boston, hiqet statuja e skllavit të liruar, të gjunjëzuar para Abraham Lincolnit

Marrë nga Associated Press

Një statujë e Abraham Lincoln-it me një skllav të liruar që duket se po gjunjëzohet përpara tij, është hequr nga një zonë në qendër të Bostonit. Statuja shkaktoi kundërshtime gjatë protestave në mbarë vendin kundër padrejtësive racore.

Punonjësit e hoqën Memorialin e Emancipimit, i njohur gjithashtu si Grupi i Emancipimit dhe Memorial i Freedman-it, të martën herët nga një park në Boston, ku kishte qëndruar që nga viti 1879.

Zyrtarët e qytetit ranë dakord në fund të qershorit për të hequr statujën pas ankesave dhe një debati të hidhur mbi atë që ajo përfaqësonte. Kryebashkiaku Marty Walsh pranoi në atë kohë se statuja i bëri banorët dhe vizitorët “të mos ndiheshin rehat”.

Statuja prej bronzi është kopje e një monumenti që u ngrit në Uashington, tre vjet para se të ngrihej në Boston. Kopja u instalua në Boston sepse qyteti ishte vendlindja e krijuesit të statujës, Thomas Ball.

Ajo u krijua për të festuar lirimin e skllevërve në Amerikë dhe u bazua në historinë e afrikano amerikanit Archer Alexander, i cili i shpëtoi skllavërisë, ndihmoi Ushtrinë e Unionit dhe ishte njeriu i fundit i rikapur bazuar në Aktin e Skllevërve të Arratisur.

Por ndërsa një pjesë e banorëve e panë njeriun pa këmishë që ngrihej në këmbë ndërsa shkulte prangat e thyera në kyçet e tij, të tjerët e perceptonin atë si të gjunjëzuar para Lincoln-it, çlirimtarit të tij të bardhë.

Donatorët e liruar afrikano-amerikanë paguan për statujën origjinale në Uashington. Politikani i bardhë dhe interpretuesi i cirkut Moisi Kimball financoi kopjen në Boston. Dy statujat kanë mbishkrimin “Një racë u la e lirë dhe vendi në paqe. Linkolni pushon nga punët e tij”.

Peticion dhe votimi

Më shumë se 12,000 njerëz nënshkruan një peticion që kërkonte heqjen e statujës dhe komisioni i arteve publike të Bostonit votoi unanimisht për ta hequr atë. Statuja do të vendoset në një depo derisa qyteti të vendosë nëse do ta shfaqë atë në një muze.

“Vendimi për heqjen e statujës merr parasysh rolin e saj në përjetësimin e paragjykimeve të dëmshme dhe errësimin e rolit të afrikano-amerikanëve në formimin e lirive të vendit”, tha komisioni në një deklaratë të postuar në faqen e tij të internetit.

Memoriali ishte në radarin e Bostonit të paktën që nga viti 2018, kur nisi një rishikim gjithëpërfshirës për të parë nëse skulpturat publike, monumentet dhe veprat e tjera artistike pasqyrojnë larminë e qytetit dhe nuk ofendojnë komunitetet me ngjyrë. Komisioni i arteve tha se po u kushtonte vëmendje të shtuar punimeve me “histori problematike”.

Verën e kaluar, protestuesit u zotuan të shembnin statujën origjinale në Uashington, duke bërë që Garda Kombëtare të dislokonte një detashment ushtarak për ta ruajtur atë

Biden: Administrata aktuale po pengon ekipin e tranzicionit

Marrë nga Reuters

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha të hënën se shumë nga agjencitë e sigurisë kombëtare në vend janë “boshatisur” gjatë administratës së Presidentit Trump dhe se mungesa e informimit të ekipit të tij nga administrata aktuale është “papërgjegjshmëri”.

“Kemi ndeshur pengesa nga udhëheqja politike e Departamentit të Mbrojtjes si dhe Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Menaxhimin dhe Buxhetin,” tha zoti Biden pas një mbledhjeje me ekipin e tij për politikën e jashtme.

“Për momentin, nuk po marrim informacionin që na nevojitet nga administrata aktuale në aspekte kyçe të sigurisë kombëtare. Kjo nuk është asgjë më pak se papërgjegjshmëri,” tha ai.

Zoti Biden foli gjithashtu edhe për incidentin e Krishtlindjes në Neshvill të shtetit Tenesi.

“Shpërthimi na kujton forcën shkatërrimtare të një individi apo grupi të vogël dhe vigjilencën që kërkohet nga të gjithë”.

Demokrati Joe Biden mundi presidentin në zgjedhjet e 3 nëntorit, por ekipi demokrat filloi takimet dhe informimin nga administrata aktuale për koordinimin e transferimit të pushtetit në fund të nëntorit.

Presidenti Trump nuk pranon të njohë fitoren e rivalit dhe nuk autorizoi bashkëpunim me zotin Biden deri më 23 nëntor.

Në fillim të muajit, ekipi i zotit Biden tha se kishin hasur në rezistencë në marrjen e informacionit nga disa zyrtarë të Pentagonit.

Pentagoni iu kundërpërgjigj ankesave të ekipit të presidentit të zgjedhur. Një zyrtar i lartë në Pentagon tha javën e kaluar se Pentagoni ka kryer 163 intervista dhe ka përmbushur 181 kërkesa për informacion dhe do të vazhdonte të ofronte të dhëna dhe të zhvillonte mbledhje informimi.

Por zoti Biden i përsëriti këto shqetësime të hënën dhe tha se administrata e Presidentit Trump u kishte shkaktuar dëme serioze disa agjencive qeveritare.

“Të themi të vërtetën, shumë agjenci me rëndësi kritike për sigurinë tonë kanë pësuar dëme të mëdha,” tha ai. “Shumë prej tyre janë boshatisur pasi u është reduktuar personeli, kapacitetet dhe është brejtur morali. Proceset politike janë atrofizuar ose anashkaluar”.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha se mbështet shtimin e shumës që marrin amerikanët në kuadër të ndihmave federale në përgjigje të pandemisë, nga 600 në 2000 dollarë. Të dielën, Presidenti Trump nënshkroi paketën e ndihmave kundër pandemisë dhe buxhetin qeveritar, pasi kishte kërcënuar se do ta bllokonte nëse ligjvënësit nuk binin dakord për t’u dërguar amerikanëve 2000 dollarë pagesa ndihme, një masë që mbështetet nga demokratët në Kongres. zëri i amerikës

SHBA ngrenë akuza të reja lidhur me rrëzimin e avionit mbi Lokërbi

Përkujtimore për viktimat e avionit Pan Am 103

 

Masood Farivar

Prokurori i Përgjithshëm në largim, William Barr njoftoi të hënën akuza penale ndaj një të dyshuari tjetër për hedhjen të erë të avionit të kompanisë Pan Am mbi Lokerbi të Skocisë në 1988.

Akuzat kundër Abu Agela Masud, ish-zyrtar i lartë i zbulimit libian dhe prodhues bombash, ngrihen në 32-vjetorin e hedhjes së avionit në erë me 270 vetë në bord. Ky mbetet sulmi më i rëndë terrorist në historinë e Britanisë dhe i dyti më i rëndë për Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Mesazhi që u dërgojmë terroristëve në mbarë botën është se nuk do të kenë sukses nëse sulmojnë amerikanë; se kudo që janë, pavarësisht se sa kohë duhet, ne do t’i ndekim deri në vrimën e fundit të tokës për të çuar në vend drejtësinë,” tha zoti Barr në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit.

Zoti Barr tha se ky sulm ishte “me një rëndësi të veçantë” për të sepse ai ishte prokuror i përgjithshëm në administratën e Presidentit George H. W. Bush në 1991 kur autoritetet amerikane e skoceze ngritën akuza ndaj dy zyrtarëve të zbulimit libian lidhur me sulmin.

Fillimisht Libia mohoi çdo përfshirje në komplot. Por pas një presioni të madh ndërkombëtar e diplomatik, ra dakord në 1999 t’ia dorëzonte dy të dyshuarit Holandës, ku u nxorën para një gjykate speciale skoceze.

Një nga dy të akuzuarit, Abdel Baset Ali al-Megrahi, u dënua me burgim të përjetshëm në 2001. Ai u lirua më pas për arsye humanitare, pasi vuante nga kanceri dhe vdiq disa muaj më pas. I dyti, Lamen Khalifa Fhimah, u lirua nga akuzat.

Në vitin 2003, regjimi i Muamar Kadafit pranoi përgjegjësinë për sulmin dhe u pagoi më pas 2.7 miliardë dollarë familjeve të viktimave.

21 dhjetor 2020

21 dhjetor 2020

Zoti Barr tha se provat e reja që çuan në ngritjen e akuzave të fundit dolën kur agjencitë e zbulimit mësuan në 2016 se Masud ishte arrestuar pas rrëzimit të regjimit të Kadafit në 2011 dhe ishte intervistuar nga një oficer libian në shtator 2012.

Sipas dokumenteve të padisë të bëra të ditura të hënën, Masudi kishte prodhuar bombën që hodhi në erë avionin dhe kishte bashkëpunuar me dy komplotistë të tjerë.

Dokumentet ngrenë pretendimin se akti u urdhërua nga zbulimi libian dhe se pas hedhjes në erë të avionit Kadafi “kishte përgëzuar Masudin për sulmin e suksesshëm kundër SHBA”.

Hedhja në erë e avionit që po udhëtonte drejt Nju Jorkut la të vdekur 270 persona, ndër to 259 pasagjerë e ekuipazh dhe 11 persona në tokë. Viktimat përfshinin 35 studentë të Universitetit të Sirakuzës që po ktheheshin në atdhe pas një semestri jashtë vendit. Incidenti la të vdekur shtetas nga 21 vende.

Lockerbie bombing

Lockerbie bombing

Hedhja në erë e avionit ishte siç duket akt hakmarrës ndaj përgjigjes së Presidentit Regan ndaj bombës së 1986 në një klub në Berlin të frekuentuar nga personel ushtarak amerikan.

Masudi besohet se ishte i përfshirë në sulmin në klubin e natës, që la të vrarë dy ushtarakë amerikanë dhe një turke, sipas padisë. Ai po mbahet nën arrest nga autoritetet libiane dhe zoti Barr tha se shpreson që libianët do ta dorëzojnë për t’u gjykuar në SHBA.

“Më në fund, ky individ përgjegjës për vrasjen e amerikanëve e shumë të tjerëve do t’i përgjigjet drejtësisë për krimet e kryera,” tha zoti Barr.

Kara Weipz, e cila humbi të vëllain, Rick Monetti nga ky shpërthim, tha se familjet e viktimave ndjehen “të justifikuara” dhe “të shpaguara”.

“Motoja e anëtarëve të familjes lidhur me 32 vitet e fundit ka qenë ‘E vërteta duhet të dalë në dritë‘,” tha në një konferencë për shtyp zonja Weipz, e cila është presidente e shoqatës së viktimave të avionit Pan Am Flight 103.

“Dita e sotme konfirmon atë që e kemi besuar si të vërtetë prej kohësh dhe është një hap përpara për të mbajtur përgjegjës ata që janë autorët e vrasjes së 270 personave të pafajshëm më 21 dhjetor 1988”.

Roli i Masudit në hedhjen në erë të avionit u përmend në një serial dokumentar të kanalit PBS, të realizuar nga producenti Ken Dornstein, vëllai i të cilit, David Dornstein, ishte një ndër viktimat.

Pas nxjerrjes nga burgu të al-Megrahit në 2009, producenti Dornstein e ndjeu të nevojshme “të kërkonte përgjigje për një numër pyetjesh” lidhur me kursin e hetimeve të tij për rolin e Masudit.

Një ish-agjent i FBI-së i tha producentit se FBI-ja ishte në dieni të aktivitetit të Masudit, por nuk mund ta identifikonte, sipas kanalit PBS.

Barr: Nuk shoh arsye për Prokuror të Posaçëm për zgjedhjet dhe çështjen Hunter Biden

VOA

Prokurori i Përgjithshëm në largim William Barr tha se ai nuk shihte “asnjë arsye” për të caktuar një Prokuror të Posaçëm lidhur me pretendimet për manipulim të zgjedhjeve ose hetimin e taksave të djalit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një konferencë të fundit për shtyp të hënën zoti Barr tha se hetimi mbi marrëdhëniet financiare të Hunter Biden-it “po trajtohej me përgjegjësi dhe profesionalizëm”.

Nuk shoh arsye për të caktuar një prokuror të posaçëm dhe nuk kam në plan ta bëj një gjë të tillë përpara se të largohem“, tha ai.

Gjatë një interviste pak kohë më parë për agjencinë e lajmeve Associated Press zoti Barr tha se ai nuk kishte parë prova për maninulim të gjerë me votat, pavarësisht nga pretendimet e Presidentit Donald Trump. Zoti Trump ka vazhduar të nxisë pretendime të pabazuara edhe pasi Kolegji Zgjedhor konfirmoi fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Sipas njoftimeve Presidenti Trump ka qenë duke peshuar mundësinë për të nxitur Departamentin e Drejtësisë për të caktuar një prokuror të posaçëm, i cili do ta bënte më të vështirë për zotin Biden të mbyllte hetimet për të dyja çështjet. Por nuk është e qartë se si mund ta bënte një gjë të tillë pa mbështetjen e zyrtarëve të drejtësisë..

Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden do të vaksinohet të hënën kundër COVID-19 para kamerave

Zëdhënësia e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, gjatë një konferencë për mediat ka njoftuar se presidenti Biden dhe Kamala Harris, e zgjedhura zëvendëspresidente e SHBA-së, do të vaksinohen kundër COVID-19.

Duke deklaruar se Biden do të vaksinohet së bashku me bashkëshorten Jill Biden para kamerave të hënën, Psaki tha se Harris do të marrë vaksinën një javë më vonë, sipas protokollit.

Zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence dhe presidentja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi morën dje vaksinën kundër COVID-19.

Nënpresidenti amerikan merr vaksinën kundër koronavirusit

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, duke u vaksinuar.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, mori të premten vaksinën kundër koronavirusit.

Ai mori dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me gruan e tij, Karen, dhe mjekun Jerome Adams.

Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në televizion.

Pence tha se vaksina është “e sigurt dhe efektive” dhe se shpejtësia me të cilën është zhvilluar është “mrekulli mjekësore”.

Shtëpia e Bardhë tha se transmetimi i vaksinimit të Pence në televizion ka për qëllim “të promovojë sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës dhe të krijojë besim te populli amerikan”.

SHBA-ja ka nisur të hënën vaksinimin e popullatës me vaksinën Pfizer/BioNTech.

Vaksina është thënë se është 95 për qind efektive.

Tre milionë dozat e para të saj po shpërndahen në të 50 shtetet e SHBA-së.

SHBA-ja ka regjistruar numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi. rel

SHBA, dorëhiqet Prokurori i Përgjithshëm, William Barr

VOA

Presidenti Donald Trump tha të hënën se Prokurori i Përgjithshëm William Barr do të largohet nga posti në prag të Krishtlindjeve dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Jeff Rosen do të bëhet Prokuror i Përgjithshëm në detyrë.

Zoti Barr, në një letër për Presidentin Trump postuar nga presidenti republikan në Twitter, tha se ai do të largohet nga posti më 23 dhjetor.

Letra vjen ndërkohë që zoti Barr kishte informuar presidentin rreth shqyrtimit që Departamenti i Drejtësisë kishte bërë lidhur me aludimet e fushatës së Presidentit Trump për mashtrim të votuesve në zgjedhjet e vitit 2020.

Në të, zoti Barr premton se pretendimet e ngritura nga Presidenti “do të vazhdojnë të ndiqen”.

Në letër, zoti Barr vlerëson gjithashtu atë që ai e quan rekord historik të Presidentit Trump, duke thënë se ai ka ndihmuar në rritjen e ekonomisë, forcimin e ushtrisë dhe frenimin e imigracionit të paligjshëm.

“Marrëdhënia jonë ka qenë shumë e mirë, ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme!” tha Presidenti Trump për zotin Barr në Twitter.

Fati politik i zotit Barr ishte në diskutim që nga java e kaluar, kur ai deklaroi se një hetim i Departamentit të Drejtësisë nuk kishte gjetur asnjë shenjë manipulimesh të mëdha në zgjedhjet e nëntorit, duke hedhur poshtë pretendimet e Presidentit Trump.

Ekipi ligjor i Presidentit Trump e kishte akuzuar zotin Barr se dështoi të kryente hetimin e duhur.

Gjatë fundjavës, Presidenti Trump e sulmoi ashpër zotin Barr në Twitter pas një njoftimi në gazetën Wall Street Journal se Prokurori i Përgjithshëm kishte dijeni në fillim të këtij viti për një hetim mbi taksat e djalit të zotit Biden, Hunter.

Presidenti Trump ripublikoi në Twitter një koment të moderatorit të radios, Todd Starnes, i cili thoshte se zoti Barr duhet të shkarkohej. “Një zhgënjim i madh!” shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Ekspertët amerikanë: Dyshohet se Rusia qëndron pas sulmit kibernetik ndaj Departamentit të Thesarit

VOA

Administrata e presidentit Trump pranoi të dielën se disa institucione të Shteteve të Bashkuara ishin bërë objekt i sulmeve kibernetike nga një qeveri e huaj.

Ekspertët e sigurisë kibernetike besojnë se ka të ngjarë që Rusia të qëndrojë pas sulmit ndaj Departamentit të Thesarit dhe atij të Tregëtisë, në një depërtim që media amerikane po e quan si një nga sulmet më të sofistikuara ndaj sistemeve të qeverisë amerikane në vite.

I kemi kërkuar Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës si edhe FBI-së të hetojnë dhe nuk mund të komentojmë më shumë tani për tani“, tha Departamenti i Tregtisë në një deklaratë ku konfirmonte se një nga agjencitë e saj ishte bërë objekt i këtij sulmi.

Si FBI ashtu edhe krahu i sigurisë kibernetike të Departamentit të Sigurisë Kombëtare po hetojnë sulmet. Nuk janë të qarta përmasat e ndërhyrjes, motivi, apo nëse janë prekur agjenci të tjera.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të këtyre njoftimeve dhe po ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe riparuar dëmet e mundshme në lidhje me këtë situatë,” tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar, John Ullyot.

Një zëdhënës i Kremlinit tha të hënën se Rusia nuk ishte e përfshirë në sulm.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, që njoftoi e para për shkeljen, zyrtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara u takuan të shtunën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar për sulmin, i cili përfshinte vjedhjen e informacionit në lidhje me politikat për internetin dhe telekomunikacionin.

Shkeljet vijnë një javë pasi FireEye, një kompani amerikane e sigurisë kibernetike me kontrata qeveritare dhe nga korporatat, tha se ishte vënë në shënjestër të një sulmi në të cilin hakera të një qeverie të huaj vodhën disa nga teknikat e saj kibernetike.

SHBA: Vaksinimi fillon të hënën

VOA

Të paketuara në kontenierë në temperatura tepër të ftohta, vaksinat kundër koronavirusit u nisën me kamionë nga një fabrikë në Kalamazu të Miçiganit në orët e para të së dielës drejt pikave të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Të hënën fillon vaksinimi kundër COVID-19, një sëmundje që paralizoi botën dhe goditi rëndë në veçanti Shtetet e Bashkuara. Aktualisht në këtë vend numërohen mbi 297,000 të vdekur dhe më shumë se 1 milion e 607 mijë të diagnostikuar me koronavirus, sipas universitetit Johns Hopkins.

Gjenerali Gustave Perna, shef i operacionit Shpejtësia Marramendëse, siç është pagëzuar projekti i qeverisë amerikane për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit, tha të shtunën në një konferencë shtypi se kompanitë e transportit do të furnizojnë fillimisht 150 qendra shpërndarjeje dhe deri të mërkurën gjithësej 450 qendra do të kenë marrë pako me vaksina.

Vaksina e prodhuar me bashkëpunim nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech u miratua të premten në darkë për përdorim emergjent tek individë mbi moshën 16 vjeç. Ndërkohë do të vazhdojnë analizat klinike për të parë nëse edhe fëmijë nën 16 vjeç si dhe gratë shtatzëna mund të vaksinohen, pasi këto dy grupime nuk ishin përfshirë në numër të mjaftueshëm në provat klinike.

Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë, pasuar nga persona të moshuar dhe me probleme ekzistuese shëndeti. Deri në fund të pranverës së ardhshme pritet që vaksina t’i ofrohet të gjithë popullatës amerikane. Vaksinimi kërkon dy doza, të bëra me distancë kohore prej tre javësh.

Ndërkohë, autoritetet po analizojnë edhe vaksinën kandidate të kompanisë Moderna.

Kolegji Elektoral finalizon të hënën zgjedhjet presidenciale; Presidenti mbetet sfidues

VOA

Kolegji Elektoral mblidhet të hënën për të zgjedhur zyrtarisht Joe Bidenin si fitues të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të mos e njohë rezultatin. Mijëra përkrahës të presidentit u mblodhën në Uashington me thirrjet për përmbysjen e rezultatit.

Procesi zgjedhor për presidentin e Shteteve të Bashkuara nuk quhet i përmbyllur deri kur elektorët nga të 50 shtetet amerikane, të zgjedhur në raport me popullatën dhe si reflektim i numrit të ligjvënësve e senatorëve që ka shteti përkatës në Kongres, hedhin votat më 14 dhjetor. Përveç dy shteteve amerikane, elektorët e të 48 shteteve të tjera duhet të votojnë për kandidatin që fitoi zgjedhjet në shtetin e tyre.

Të gjitha shtetet i kanë çertifikuar tashmë rezultatet dhe zoti Biden ka dalë fitues me 306 vota elektorale, ose 36 më shumë se minimalja e kërkuar për të siguruar fitoren. Për sa kohë që nuk do të ketë ndonjë shtyrje të shpalljes së rezultatit nga gjykata, të hënën zoti Biden pritet të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale.

Gjykatat federale e shtetërore kanë hedhur poshtë dhjetëra padi të ngritura nga ekipi elektoral i presidentit në përpjekje për të skualifikuar vota, apo për të përmbysur rezultatin në shtete të lëkundura ku u shpall fitues zoti Biden. Gjykata e Lartë nuk pranoi të merrte në shqyrtim një padi të ngritur nga një prokuror i Teksasit për të anuluar rezultatin në katër shtete të tjera, duke mbyllur praktikisht pistat ligjore të presidentit.

Megjithatë, presidenti mbetet sfidues dhe ka sinjalizuar se nuk po heq dorë nga pretendimet e tij. “SAPO E KEMI FILLUAR BETEJËN, shkruante ai të shtunën në Twitter. “I FITOVA ZGJEDHJET ME DIFERENCË DËRRMUESE!”

Ndërkohë, po të shtunën, mijëra përkrahës të tij të zjarrtë u mblodhën në Uashington duke kërkuar që presidenti të mbetet në post për një mandat tjetër. Pati edhe përleshje mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të presidentit. Katër vetë u dërguan në spital me plagë nga armë të ftohta dhe 23 u arrestuan, sipas rajonit policor të Uashingtonit.

Përleshje mes protestuesve pro dhe kundër Trumpit

RFE /RL

Disa mijëra mbështetës të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilluan protesta në të gjithë vendin më 12 dhjetor. Në Uashington, protesta degjeneroi në përleshje midis anëtarëve të një grupi të krahut të djathtë dhe kundër-protestuesve të majtë.

Turma të protestuesve pro-Trump u mblodhën në Uashington për të protestuar ndaj rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit, që u fituan nga demokrati Joe Biden.

Mitingjet mbarëkombëtare, të organizuara nën moton “Ndal vjedhjet”, pasojnë deklarimet e përsëritura, por të pabazuara të presidentit Trump për manipulime të zgjedhjeve.

“WoW! Mijëra njerëz po grumbullohen në Uashington për “Ndal vjedhjen”. Nuk e dija për këtë, por unë do t’i shoh!”, shkroi presidenti Trump në rrjetin social Twitter.

Në një moment, helikopteri zyrtar i Trumpit fluturoi mbi turmën tre herë, ndërsa presidenti ishte në rrugën e tij për të marrë pjesë në një lojë futbolli Ushtri-Marinë në akademinë ushtarake amerikane në West Point në Nju Jork.

Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn, i cili u fal nga Trump pasi kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimeve dhe ish- këshilltari i Trumpit, Sebastian Gorka, ishin midis folësve në tubimin në kryeqytet.

Gjatë natës, anëtarët e grupit “Djemt Krenarë” (Proud Boys), një grup i krahut të djathtë që e mbështesin Trumpin, po endeshin nëpër rrugë, duke u përleshur me protestuesit e majtë Antifa. Ata u përleshën edhe me protestuesit kundër Trumpit të lëvizjes Black Lives Matter.

Protesta në Uashington.

Protesta në Uashington.

Policia ndërhyri shpejt për t’i ndarë, duke përdorur gazlotsjellës ndaj të dyja palëve. Policia raportoi se katër persona u plagosën me thikë, por ishte e paqartë se cila palë sulmoi dhe cila ishte viktima. Përleshje midis dy grupeve u raportuan gjithashtu në kryeqytetin e Kalifornisë, Sakramento.

Një ditë më parë, Gjykata Supreme në SHBA e ka hedhur poshtë një proces gjyqësor të inicuar nga Teksasi dhe të mbështetur nga presidenti, Donald Trump, për të refuzuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, në katër shtete.

Presidenti Trump tha në një postim në Twitter se “Gjykata e Lartë me të vërtetë na zhgënjeu. Pa mençuri, Pa guxim!”.

Video nga arkivi:

Rrënjët e zemërimit në SHBA

Rrënjët e zemërimit në SHBA

Gjykata deklaroi se Teksasi nuk ka të drejtë ligjore për të ndërhyrë në mënyrën se si shtetet e tjera zhvillojnë zgjedhjet.

Të katër shtetet – Pensilvania, Xhorxhia, Miçigani dhe Uiskonsini – i kishin bërë thirrje Gjykatës Supreme të refuzonte sfidën ligjore, duke thënë se çështja nuk kishte asnjë bazë faktike dhe ofroi pretendime “false”.

Që nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor, ekipi i fushatës së Trumpit ka sfiduar përmes proceseve gjyqësore në disa shtete rezultatet zgjedhore, mirëpo në shumicën e rasteve ka dështuar.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden pritet të inaugurohet më 20 janar.

Elez Biberaj mesazh stafit të Zërit të Amerikës: Zëri i Amerikës ka nevojë të ngutshme të mbrojë fort pavarësinë e tij editoriale të sanksionuar me ligj

8 dhjetor 2020

Kolegë të nderuar,

Koha gjatë së cilës kam qenë Drejtori juaj në Detyrë po përfundon. Ju mund të keni parë artikuj në shtyp ku njoftohet se Shefi Ekzekutiv i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Michael Pack, do të sjellë një drejtor të ri të Zërit të Amerikës. I uroj drejtorit të ri sukses në përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës.

I jam thellësisht mirënjohës zotit Pack për mundësinë për të shërbyer, po ashtu edhe ish-zyrtarit të USAGM, André Mendes, që më rekomandoi për këtë detyrë të rëndësishme.

Kur u emërova Drejtor në Detyrë, u zotova se do të bëja çmos për të respektuar Kartën e Zërit të Amerikës dhe për t’iu përmbajtur standardeve më të larta të gazetarisë. Kam bërë çdo përpjekje për ta përmbushur këtë zotim, duke mbrojtur integritetin editorial të Zërit të Amerikës dhe murin që e ndan atë nga ndërhyrjet e mundshme politike. Së bashku me kolegë të tjerë në poste drejtuese, kemi marrë masa për të forcuar procedurat editoriale, në mënyrë që raportimet tona të jenë të bazuara në fakte, të ekuilibruara dhe pa paragjykime.

Gjashtë muajt e kaluar kanë qenë mbase periudha me sfidat më të vështira në historinë e dekadave të fundit të Zërit të Amerikës. Për fat të keq, Zëri i Amerikës dhe USAGM kanë patur përplasje të shpeshta gjatë kësaj periudhe. Disa zyrtarë të agjencisë shkelën rregulla, protokolle dhe procese, që unë i konsideroj si të paprekshme dhe ishin mospërfillës ndaj dëmit që veprimet dhe vendimet e tyre patën tek operacionet dhe misioni i Zërit të Amerikës. Përpjekjet për të shkelur pavarësinë e gazetarëve të Zërit të Amerikës vunë në rrezik besueshmërinë tonë të fituar me shumë mund, në një kohë kur demokracia në shkallë globale ka bërë hapa pas dhe kur në mbarë botën janë shtuar kërcënimet ndaj vlerave dhe rolit të Amerikës si mbartësja e vlerave morale.

Unë kam bindjen se Zëri i Amerikës ka nevojë të ngutshme të mbrojë fort pavarësinë e tij editoriale të sanksionuar me ligj, pa presione politike, dhe në të njëjtën kohë, të respektojë standardet e veta për një gazetari me cilësi të lartë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë. Vetëm atëherë Zëri i Amerikës mund të shërbejë me të vërtetë si një zë i Amerikës dhe të çojë përpara në mënyrë të efektshme objektivat tona të politikës së jashtme, të nxisë vlerat tona demokratike dhe të shërbejë si model i një shtypi të lirë për pjesën tjetër të botës.

Ky nuk është një mesazh lamtumire. Sapo drejtori i ri i Zërit të Amerikës të fillojë punën, unë do të kthehem në pozicionin tim të mëparshëm si Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë.

Ka qenë një nder dhe privilegj të drejtoja Zërin e Amerikës gjatë kësaj periudhe të trazuar, por historike. Dëshiroj të shpreh falenderimet e mia të përzemërta për të gjithë, për mbështetjen, profesionalizmin dhe përkushtimin tuaj në misionin tonë fisnik.

Me respekt,
Elez Biberaj

Biden nominon Gjeneralin e pensionuar Lloyd Austin si Sekretar të Mbrojtjes

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka përmendur emrin e Gjeneralit të pensionuar ushtarak, Lloyd Austin, si të zgjedhurin e tij për Sekretar të Mbrojtjes.

Nëse miratohet nga Senati, Austin, 67-vjeçar, do të jetë afrikano-amerikani i parë që do të drejtojë Pentagonin.

“Përgjatë shërbimit të tij të dedikuar – dhe për shumë kohë që kemi kaluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me trupat tanë jashtë shtetit – Gjenerali Austin ka treguar udhëheqësi shembullore, karakter dhe komandë”, ka thënë Biden në deklaratën e tij.

“Ai është tejet i kualifikuar për t’u përballur me sfidat dhe krizat që kemi aktualisht”.

Fushata e Bidenit e ka konsideruar Austinin “lider të besueshëm dhe të testuar në kohë krizash, që ka udhëhequr disa prej operacioneve më komplekse dhe më me ndikimin në historinë e forcave të armatosura”, duke cituar fushatën e grupit ekstremist, Shteti Islamik dhe tërheqjen e gati 150,000 trupave ushtarake nga Iraku.

Austin ka kaluar 41 vjet si zyrar karriere.

Ai ka shërbyer si zëvëndës-shefi i parë me ngjyrë në ushtri më 2012 dhe më vonë ka udhëhequr Komandën Qendrore në SHBA, para se të pensionohej më 2016.

Nominimi i tij kërkon konfirmim nga Senati, ku do të mund të përballet me kundërshtime nga ligjvënësit që besojnë në udhëheqësi civile të Pentagonit.

Shumë senator demokratë veçse kanë thënë se janë kundër konfirmimit të tij për atë arsye.

Zyrtarët në Xhorxhia kundërshtojnë pretendimin e presidentit Trump për manipulim të votimit

VOA

Zyrtarët në shtetin e Xhorxhias kundërshtuan të dielën pretendimin e Presidentit republikan Donald Trump se sfiduesi demokrat Joe Biden fitoi përmes manipulimeve shtetin jugor të SHBA-ve, duke deklaruar se presidentit të zgjedhur Joe Biden i takojnë 16 votat elektorale të këtij shteti.

Brad Raffensperger, zyrtari më i lartë i zgjedhjeve të këtij shteti, tha për emisionin “This Week” të kanalit ABC News se si një republikan konservator ai ishte i “zhgënjyer” që presidenti Trump humbi në shtetin e Xhorxhias, por njerëzit “e thanë fjalën e tyre” dhe ” asgjë që do të përmbyste vullnetin e tyre”.

Trump të shtunën i kërkoi guvernatorit republikan të shtetit, Brian Kemp, të thërriste një seancë të posaçme të legjislaturës së Xhorxhias për ta përmbysur votimin atje dhe për t’i akorduar elektorët e këtij shteti për presidentin Trump, gjë që nuk do të ishte e mjaftueshme për të ndryshuar avantazhin jozyrtar të zotit Biden 306-232 në Kolegjin Zgjedhor që përcakton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të SHBA.

Kemp refuzoi kërkesën e presidentit Trump. Guvernatori i Xhorxhias, republikani Geoff Duncan, i tha të dielën rrjetit CNN se ai “absolutisht” beson se zoti Kemp nuk do të pranojë kërkesën e presidentit Trump që guvernatori të bindë ligjvënësit e shtetit të anulojnë fitoren e zotit Biden në atë shtet.

Biden: Do t’iu kërkoj amerikanëve të mbajnë maska për 100 ditë

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha të enjten se një ndër vendimet e tij të para si president do të jetë t’u kërkojë amerikanëve të mbajnë maska për 100 ditë.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper të CNN-it, zoti Biden tha, “Ditën e parë të inaugurimit, unë do t’i kërkoj publikut që të vendosë maskën për 100 ditë. Vetëm 100 ditë me maska – jo përgjithmonë, vetëm 100 ditë. Dhe mendoj se do të shohim një pakësim të ndjeshëm” të rasteve të koronavirusit, që kanë arritur në shifra rekord ditët e fundit me një rritje të numrave të vdekjeve ditore.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, më shumë se 14 milionë njerëz janë infektuar dhe më shumë se 275,000 të tjerë kanë vdekur nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom thotë se shteti i tij pritet të lëshojë urdhër për qëndrimin në shtëpi të banorëve. Urdhrat do të fillojnë kur njësitë e kujdesit intensiv në spitalet brenda pesë rajoneve të këtij shteti të arrijnë në më shumë se 85% të kapacitetit, diçka që nuk ka ndodhur ende, por pritet të ndodhë së shpejti.

Në Korenë e Jugut, një shtim i rasteve me COVID-19 bëri që zyrtarët e shëndetit publik t’u bëjnë thirrje njerëzve të heqin dorë nga festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, duke i organizuar festime në internet.

Koreja e Jugut njoftoi të premten 629 raste të reja të koronavirusit, shifra më e lartë në nëntë muaj në një vend që ka qenë model në kontrollin e virusit.

Kryeministri i Italisë nënshkroi një urdhër të enjten që kufizon udhëtimet brenda vendit nga periudha e pushimeve të Krishtlindjeve deri në 6 janar. Do të bëhen përjashtime për punë, si dhe arsye shëndetësore dhe emergjente.

Italia regjistroi të enjten 23,255 raste të reja me COVID dhe 933 vdekje.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatisin planet për të filluar përdorimin e vaksinës COVID-19, zyrtarët paralajmëruan të enjten se hakerat po vënë në shënjestër kompanitë thelbësore për shpërndarjen e saj.

Në një postim në blog të publikuar të enjten, kompania IBM tha se ka zbuluar një komplot mashtrimi që synon bizneset përgjegjës për ruajtjen e vaksinës në temperaturat e ulta të nevojshme.

Bush, Clinton dhe Obama do të vaksikohen përpara kamerave për të promovuar fushatën e vaksinimit anti-Covid

Voal.ch – Bush, Clinton dhe Obama do të vaksikohen përpara kamerave për të promovuar fushatën e vaksinimit anti-Covid.

Presidentët Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton thanë se ishin gati të vaksinoheshin para kamerave.

Tre ish-presidentët amerikanë, sipas raportit të CNN kanë rënë dakord të bëhen vullnetarë kur do të autorizohen vaksinat e para.

Qëllimi është që të përcjellë besimin te opinioni publik mbi sigurinë dhe efikasitetin e produkteve të autorizuara nga autoritetet federale.

Nisma do të vinte nga Bush i cili, siç tha shefi i tij i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Freddy Ford, kontaktoi virologun Anthony Fauci dhe epidemiologen Deborah Birx për të pyetur se si mund të ndihmonte në promovimin e fushatës së vaksinimit.

Bush do të kishte pranuar të paraqitej si vullnetar dhe të filmohej gjatë vaksinimit, duke përfshirë gjithashtu Klintonin dhe Obamën në këtë çështje.

“Nëse Fauci thotë se vaksina është e sigurt, unë e besoj atë dhe absolutisht do ta bëj,” tha Obama./CNN/eb

Hetime të mundshme ndaj një skeme korrupsioni në Shtëpinë e Bardhë

VOA

Sipas dokumentave të publikuara të martën, Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton shkelje të mundshme penale për korrupsion në këmbim të faljeve presidenciale.

Dokumenti i publikuar nga kryetarja e Gjykatës së Distriktit të Kolumbias, është i retushuar dhe emrat e tre personave në të janë mbuluar.

Në këtë dokument zbulohet se prokurorët federalë kërkuan qasje në fund të gushtit tek disa paisje dixhitale të konfiskuara nga qeveria.

Për këtë nevojitej leja e gjykatës, pasi përmbajtja e paisjeve përfshinte edhe shkëmbimet me email me një avokat, biseda të cilat mund të jenë të mbrojtura nga ekskluziviteti i marrëdhënies avokat – klient. Prokurorët argumentuan se kjo ishte thyer në momentin që materialet u ishin bërë të ditura palëve të treta.

Prokurorët i thanë gjykatës se prisnin të gjenin prova se disa individë në mënyrë të paligjshme “vepruan si lobistë tek zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë… për të siguruar një falje ose pezullim dënimi” për dikë, emri i të cilit është i retushuar në dokument.

Dokumenti gjithashtu flet për “një skemë konspirative korrupsioni”, e cila ofronte “kontribut domethënës politik në shkëmbim të një faljeje ose pezullim dënimi”.

Dokumenti tregon se prokurorëve u është dhënë leja të merrnin paisjet e kërkuara, për të gjetur materiale me të cilat do të ballafaqonin çdo subjekt apo objekt të hetimit. Sidoqoftë, nuk ka patur deri më tani asnjë raport publik ku të sugjerohet se janë ngritur akuza ndaj dikujt në kuadrin e këtij hetimi.

Shtëpia e Bardhë refuzoi një kërkesë të Zërit të Amerikës për të komentuar për këtë çështje. Orë më vonë, Presidenti Trump shkruajti në Twitter, “Hetimet për faljet janë Lajme False!”.

Në një tjetër artikull të martën, gazeta The New York Times njoftoi se Presidenti Donald Trump ka diskutuar me këshilltarët mundësinë e dhënies së faljeve paraprake për djemtë e tij, Eric dhe Donald Jr., si dhe për vajzën e tij Ivanka dhe avokatin personal Rudy Giuliani.

Kanali televiziv ABC News njoftoi të martën se ndihmësit e Presidentit Trump i kanë diskutuar këto lloj faljesh.

Në një mesazh në Twitter, zoti Giuliani mohoi të ketë diskutuar një falje të mundshme për veten me Presidentin Trump.

“Gazeta New York Times gënjen sërish. Nuk e kam zhvilluar kurrë bisedën, për të cilën gënjejnë duke ia atribuar një burimi anonim”, shkruajti zoti Giuliani.

As zoti Giuliani dhe as ndonjëri prej zotërinjve Trump nuk janë akuzuar për shkelje penale federale dhe nuk është e qartë se sa do të qëndronte ligjërisht një falje paraprake. Presidenti amerikan mund të lëshojë falje për krime federale, për jo për krime në nivelin e shteteve amerikane apo në nivelin e qeverisjes lokale.

Presidenti Trump ka bërë disa falje të bujshme dhe shkurtime dënimi për aleatët e tij.

Javën e kaluar ai fali Michael Flynn-in, i cili shërbeu për pak kohë si këshilltari i tij për sigurinë kombëtare në fillimet e mandatit të Presidentit Trump. Në muajin korrik, Presidenti Trump shkurtoi dënimin e këshilltarit të tij të hershëm, Roger Stone.

zëri i amerikës

Barr: Nuk ka prova për mashtrim të gjerë në zgjedhje

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr, tha të martën se Departamenti i Drejtësisë nuk ka gjetur prova për mashtrim të gjerë të votuesve që do të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Komentet e tij vijnë megjithë pretendimet e përsëritura të Presidentit Donald Trump se zgjedhjet janë vjedhur dhe refuzimin e tij për të pranuar humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Barr tha se prokurorët e SHBA-së dhe agjentët e FBI-së kanë punuar për të analizuar ankesat specifike dhe informacionin që kanë marrë, por nuk kanë zbuluar asnjë provë që do të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve.

“Deri më sot, ne nuk kemi parë mashtrim në një shkallë që mund të kishte ndikuar në një rezultat të ndryshëm zgjedhor,” tha zoti Barr.

Komentet marrin kuptim të veçantë sidomos sepse bëhen drejtpërdrejt nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili ka qenë një nga aleatët më të flaktë të presidentit. Para zgjedhjeve, zoti Barr kishte hedhur në mënyrë të përsëritur idenë se votat me postë mund të ishin veçanërisht të ekspozuara ndaj mashtrimeve.

Avokati i zotit Trump, Rudi Giuliani, reagoi duke e kritikuar zotin Barr se dështoi sipas tij të hetonte siç duhej provat për mashtrim në zgjedhje.

“Me gjithë respektin për Prokurorin e Përgjithshëm, Departamenti i Drejtësisë nuk ka bërë asnjë përpjekje për të hetuar, qoftë edhe në dukje,” tha zoti Juliani, ish-prokuror federal dhe kolegia e tij Jenna Ellis në një deklaratë të përbashkët.

Muajin e kaluar, zoti Barr lëshoi një direktivë për prokurorët amerikanë në të gjithë vendin duke i lejuar ata të ndiqnin çdo “pretendim thelbësor” për parregullsi votimi, nëse ekzistonin, para çertifikimit të zgjedhjeve, edhe pse nuk kishte ndonjë provë për mashtrim të përhapur. Kjo direktivë u jepte prokurorëve mundësinë për të anashkaluar politikën tradicionale të Departamentit të Drejtësisë, e cila normalisht ndalon veprime të tilla të hapura para çertifikimit të zgjedhjeve. Menjëherë pas lëshimit të memorandumit, zyrtari më i lartë për krimet në këtë departament njoftoi dorëheqjen.

Ekipi i fushatës së zotit Trump, i drejtuar nga Rudy Giuliani, ka ngritur pa asnjë provë aludime për një komplot të gjerë të demokratëve për të hedhur miliona vota të paligjshme në sistem. Ata kanë ngritur padi të shumta gjyqësore në shtetet fushë-betejë, duke pretenduar se vëzhguesit partiakë të zgjedhjeve nuk ishin në gjendje të shihnin qartë procesin e numërimit dhe se për këtë arsye duhet të kishte ndodhur diçka e paligjshme. Pretendimet janë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur nga gjyqtarët, edhe nga gjyqtarë të emëruar nga presidentë republikanë, të cilët kanë deklaruar se prova të tilla nuk ekzistojnë.

Republikanë të niveleve lokale në disa shtete i kanë shkuar pas zotit Trump, duke hedhur pretendime të ngjashme të pambështetura në prova.

Vetë Presidenti Trump i ka hedhur poshtë si të manipuluara zgjedhjet me anë të komenteve në Twitter apo në intervista, megjithëse administrata e tij ka thënë se zgjedhjet e vitit 2020 ishin më të sigurtat e zhvilluara ndonjëherë.

zëri i amerikës

Biden do të nominojë Janet Yellen si Sekretare të Thesarit

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka përmendur emrin e ish-shefes së Rezervave Federale, Janet Yellen si të nominuar për Sekretare të Thesarit.

Nëse konfirmohet nga Senati, ajo do të kthehet në gruan e parë që do ta mbajë këtë pozitë.

Ajo është një prej shumë grave të zgjedhura për pozita kyçe në fushën e ekonomisë.

Ekipi i Bidenit ka thënë se nëse ato konfirmohen, do të thyejnë barrierat racore që ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara.

Biden është zotuar se do të krijojë një administratë diverse.

Më herët ai ka formuar tërësisht nga gratë, ekipin përgjegjës për mediat.

Ai po ashtu ka njoftuar për formimin e Komitetit për Inaugurim Presidencial, para se të bëjë betimin më 20 janar.

 

Ky Komitet do të jetë përgjegjës për organizimin e aktiviteteve të lidhura më inaugurim.

Ditë më parë, Biden ka prezantuar ekipin e tij për siguri kombëtare, i cili ka konsideruar se do të rikthejë udhëheqësinë amerikane në botë, pas largimit të presidentit aktual, Donald Trump.
Kë ka zgjedhur Biden?

Shumë nga zgjedhjet që ka bërë Biden janë kolegë nga administratat e ish-presidentit Barack Obama, ku presidenti, tashmë i zgjedhur, ka shërbyer si nën-president.

Gjashtë përzgjedhjet kyçe janë:

Antony Blinken është nominuar si Sekretar Shteti – pozita më e rëndësishme në politikën e jashtme. Ai pritet të menaxhojë politikën e jashtëm të Bidenit që ka të bëjë me kthimin e lidhjeve me aleatët perëndimorë.
Ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry do të drejtojë përpjekjet e administratës së ardhshme për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai ka qenë nga një arkitektët e Marrëveshjes së Parisit për Klimën, nga e cila është tërhequr presidenti Trump
Avril Haines, ish zëvendës-drejtore e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), është nominuar si drejtorja e parë për Inteligjencë Kombëtare.
Alejandro Mayorkas është burri i parë latin që është nominuar për të shërbyer si Sekretar për Siguri Kombëtare.
Jake Sullivan është nominuar si Këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka shërbyer si Këshilltar për Siguri Kombëtare i Bidenit, gjatë mandatit të dytë presidencial të Obamas.
Diplomatja Linda Thomas-Greenfield është nominuar si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Ajo ka shërbyer gjatë presidencës Obama, duke përfshirë pozitën si sekretare për çështjet afrikane gjatë periudhës 2013-2017. rel

Arizona çertifikon fitoren e Joe Bidenit

Marrë nga Associated Press

Zyrtarët e Arizonës çertifikuan fitoren e ngushtë në këtë shtet të Joe Bidenit ndaj Presidentit Donald Trump.

Sekretarja demokrate e Shtetit Katie Hobbs dhe Guvernatori Republikan Doug Ducey këmbëngulën në integritetin e zgjedhjeve edhe pse avokatët e zotit Trump edhe të hënën argumentuan tek nëntë ligjvënës republikanë se zgjedhjet u shoqëruan me manipulime, por pa ofruar prova mbi këto pretendime.

Zoti Ducey tha se “ne i zhvillojmë mirë zgjedhjet këtu në Arizona. Sistemi është i fortë”.

Zoti Biden e fitoi Arizonën me 0.3 për qind më shumë ose me një diferencë pak më poshtë se 10,500 vota, nga rreth 3.4 milionë votave të hedhura gjithsej në këtë shtet. Ai është demokrati i dytë në 70 vite që fiton Arizonën.

Çertifikimi gjithashtu i hap rrugën demokratit Mark Kelly për të marrë vendin e tij në Senatin amerikan, duke zyrtarizuar fitoren e tij në një proces zgjedhor të veçantë për të zëvendësuar të ndjerin John McCain. Zoti Kelly pritet të bëjë betimin të mërkurën në Uashington.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden po bën përgatitjet e para zyrtare për inaugurimin e tij më 20 janar, duke bërë publike emrat e komitetit përurues që do të koordinojë veprimtaritë për ditën që ai dhe Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të marrin detyrën.

Zoti Biden pritet të emërojë presidentin e universitetit shtetëror të Delauerit, Tony Allen për të shërbyer si shef ekzekutiv i komitetit përurues presidencial dhe shefin operativ të fushatës Maju Varghese si drejtor ekzekutiv të grupit.

Komiteti përurues punon në koordinim me grupin e planifikimit të Kongresit për të bashkërenduar ceremoninë në Kapitol si dhe organizon ballon zyrtare dhe aktivitete të tjera që lidhen me betimin. Formati i aktiviteteve mbetet i paqartë ndërsa infektimet e reja me koronavirus vazhdojnë të rriten në të gjithë vendin.

Në një deklaratë të hënën, komiteti përurues tha se do të punojë duke patur “përparësi garantimin e sigurisë për njerëzit dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19-s gjatë përfshirjes së të gjithë amerikanëve” në festime.

zëri i amerikës

Rinumërimi i votave në Uiskonsin rikonfirmon fitoren e demokratit Joe Biden

Uiskonsini përfundoi rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale të dielën, duke konfirmuar fitoren e demokratit Joe Biden ndaj presidentit Donald Trump në një nga shtetet vendimtare. Presidenti Trump ishte zotuar se do të kundërshtonte rezultatin në gjykatë edhe para se të përfundonte rinumërimi.

Qarku Dane ishte qarku i dytë dhe i fundit që përfundoi rinumërimin, duke njoftuar për 45 vota shtesë për zotin Trump. Qarku Miluoki, qarku tjetër i madh dhe me shumicë dërrmuese liberale të shtetit në qendër të një rinumërimi që kishte kërkuar zoti Trump, i njoftoi rezultatet të premten, me 132 vota më shumë për zotin Biden.

Të marra së bashku, të dyja qarqet pothuajse nuk e ndryshuan fare epërsinë e zotit Biden prej rreth 20,600 votash, duke i dhënë fituesit edhe 87 vota të tjera.

“Siç e kemi thënë, rinumërimi thjesht rikonfirmoi fitoren e Joe Bidenit në Uiskonsin,” tha Danielle Melfi, e cila drejtoi fushatën e zotit Biden në Uiskonsin, në një deklaratë për agjencinë Associated Press.

Pa një precedent për përmbysjen e një epërsie aq të madhe sa ajo e zotit Biden, Presidenti Trump pritej gjerësisht t’i drejtohej gjykatës pasi të mbaronte rinumërimi. Fushata e tij sfidoi mijëra fletëvotime të hedhura në mungesë gjatë rinumërimit, dhe madje edhe para se të përfundonte ai, Trump shkruante në Twitter se do të padiste.

“Rinumërimi në Uiskonsin nuk ka të bëjë me gjetjen e gabimeve në numërim, ka të bëjë me gjetjen e njerëzve që kanë votuar në mënyrë të paligjshme dhe ajo padi do të bëhet pas rinumërimit, të hënën ose të martën,” shkroi Trump të shtunën. “Kemi gjetur shumë vota të paligjshme. Na ndiqni!”

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë AP për komente të dielën.

Afati i fundit për të çertifikuar votimin është e marta. Çertifikimi bëhet nga kryetari demokrat i Komisionit dypartiak Zgjedhor të Uiskonsinit.

Aleanca e Votuesve të Uiskonsinit, një grup konservator, ka hapur tashmë një proces gjyqësor kundër zyrtarëve shtetërorë të zgjedhjeve që kërkojnë të bllokojnë çertifikimin e rezultateve. Padia përfshin shumë nga pretendimet që pritet të bëjë edhe zoti Trump. Avokatët e guvernatorit Tony Evers i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë të shtetit të hedhë poshtë padinë. Evers, një demokrat, tha se ankesa është një “përzierje shtrembërimesh ligjore” që përdor keqinterpretime faktike në një përpjekje për t’u hequr të drejtën e votës miliona banorëve të Uiskonsit.

Një padi tjetër e paraqitur gjatë fundjavës nga banori i Uiskonsit, Dean Mueller argumenton se fletët e votimit të hedhura në kuti të posaçme votimi janë të paligjshme dhe nuk duhet të numërohen.

Avokatët e zotit Trump janë ankuar në lidhje me fletëvotimet në mungesë kur votuesit e identifikuan veten si “të izoluar për një kohë të pacaktuar”, duke i lejuar ata të hedhin votën pa treguar një dokument identifikimi; fletëvotimet që kanë një zarf çertifikimi të plotësuar me dy ngjyra të ndryshme boje, që tregon se një punonjës i sondazhit mund të ketë ndihmuar në plotësimin e tij; dhe fletëvotimet në mungesë për të cilat nuk është dikumentuar ndonjë kërkesë, të tilla si fletëvotimet personale në mungesë.

Zyrtarët e zgjedhjeve në të dy qarqet numëruan ato fletëvotime gjatë rinumërimit, por i shënuan ato si prova me kërkesë të fushatës së zotit Trump.

Fushata e Presidentit Trump tashmë ka dështuar në përpjekje të tjera në gjykatë, duke mos pasur prova për mashtrime të përhapura, për të cilat ekspertët gjerësisht pajtohen se nuk ekzistojnë. Sfidat ligjore të zotit Trump kanë dështuar në Arizona, Xhorxha, Miçigan, Nevada dhe Pensilvani./VOA

SHBA regjistron mbi 200.000 raste të reja me COVID-19

New York

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 271.038, prej të cilëve 1.388 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 201.377, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 13.458.011.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar rreth 7,95 milionë të infektuar, ndërsa numri i testeve ka shkuar në mbi 189 milionë.

Aktualisht, shteti i Teksasit është më i godituri në SHBA, me 1.235.838 raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 34.437 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 9,3 milionë raste dhe Brazili me mbi 6,2 milionë.

Gjykatësi federal, jo kërkesës së presidentit për të rrëzuar rezultatin në Pensilvani

Marrë nga Reuters

Në SHBA, një gjykatë federale apeli hodhi poshtë kërkesën e ekipit të Presidentit Donald Trump për të mos lejuar Presidentin e zgjedhur Joe Biden të shpallet fitues i shtetit të Pensilvanisë.

Vendimi është një tjetër hap prapa në përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Në vendimin e tij, Stephanos Bibas, në emër të një trupi gjykatës me tre gjyqtarë shkroi: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gjaku i demokracisë sonë. Akuzat për padrejtësi janë serioze. Por t’i quash zgjedhjet të pandershme, kjo nuk i bën ato të tilla”. “Akuzat kërkojnë aludime serioze dhe më pas prova. Në këtë rast ne nuk kemi as njërën, as tjetrën.”

“Do të shkojmë në Gjykatën e Lartë” shkroi në Twitter pas vendimit Jenna Ellis, avokate e ekipit të zotit Trump, duke iu referuar një apelimi që planifikon të bëjë ekipi. “Makineria gjyqësore aktiviste në Pensilvani vazhdon të mbulojë akuzat për mashtrim masiv,” shkruante ajo.

Pensilvania çertifikoi këtë javë zotin Biden si fitues, i cili mori votën popullore në këtë shtet. Sipas ligjit të Pensilvanisë, kandidati që fiton votën popullore në shtet merr të 20 votat elektorale të tij.

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ndaj rivalit të tij demokrat dhe vazhdon të pretendojë, pa prova, për mashtrim të gjerë të votuesve.

Por ai tha të enjten se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse zoti Biden fiton Kolegjin Elektoral.

zëri i amerikës


Send this to a friend