VOAL

VOAL

Vdekja e oficerit të Policisë intensifikon hetimet për sulmin në Kongres

VOA

Prokurorët amerikanë pritet të hapin hetim federal për vrasje lidhur me vdekjen e një oficeri policie i cili humbi jetën nga plagët e marra kur mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan Kapitolin, sipas njoftimeve të medias.

Policia e Kapitolit tha në një deklaratë se oficeri Brian D. Sicknick u plagos “kur po përleshej me protestuesit” gjatë trazirave të së mërkurës. Ai është personi i pestë që humb jetën për shkak të trazirave.

Sulmi mbi Kapitol që ka tronditur botën dhe e ka lënë vendin të shokuar, detyroi dorëheqjet e tre zyrtarëve të lartë të sigurisë së Kapitolit për shkak të dështimit për të ndalur sulmin. Kjo bëri që ligjvënësit të kërkojnë një rishikim të operacioneve dhe një informacion të hollësishëm nga FBI-ja mbi atë që ata e quajtën një “sulm terrorist”.

Protestuesit u nxitën nga Presidenti Trump gjatë një tubimi pranë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën që të marshonin drejt Kapitolit, ku ligjvënësit duhej të konfirmonin fitoren e Joe Biden-it në zgjedhje. Turma depërtoi me shpejtësi nëpër barrikadat e policisë, theu dritaret dhe hyri nëpër salla, duke bërë që ligjvënësit të largoheshin.

Një protestuese e bardhë, u qëllua për vdekje nga Policia e Kapitolit ndërkohë që janë bënë dhjetëra arrestime. Tre persona të tjerë gjetën vdekjen gjatë protestave.

Ligjvënësit nga të dy palët u zotuan të bëjnë hetime për të parë nëse mungesa e gatishmërisë e lejoi turmën të hynte dhe të vandalizonte ndërtesën. Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Drejtësisë kishin ofruar ndihmë por ajo u refuzua.

Ligjvënësit me ngjyrë, në veçanti, vunë në dukje mënyrën e trajtimit nga policia të mbështetësve kryesisht të bardhë të zotit Trump.

Ligjvënësja e sapozgjedhur Cori Bush, demokrate nga shteti i Mizurit, tha se nëse “ne, njerëzit me ngjyrë do të bënim të njëjtat veprime… reagimi do të kishte qenë ndryshe… do të ishim vrarë”.

Protestuesit plaçkitën ndërtesën, duke marrë në kontroll zonën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dhe duke valvitur flamuj të Trump-it, atë amerikan dhe të Konfederatës.

Sekretarja e arsimit në SHBA jep dorëheqje mes trazirave

Betsy DeVos, sekretarja e arsimit në administratën e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka vendosur të japë dorëeheqje mes trazirave në Kongresin Amerikan që shkaktuan vdekjen e pesë personave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në letrën e saj të dorëheqjes dërguar presidentit Trump, DeVos thotë se ajo ka parë “mjaft” këtë javë kur mbështetësit e presidentit në largim u përleshën me policinë, sulmuan ndërtesën e Kongresit dhe detyruan anëtarët e Kongresit të evakuuohen pasi ata kishin filluar seancën për të vërtetuar zyrtarisht fitoren presidenciale të Joe Biden-it.

“Fëmijët e impresionuar po i shikojnë të gjitha këto dhe ata po mësojnë nga ne. Besoj se secili ka një detyrim moral të ushtrojë gjykim të mirë dhe të modelojë sjelljen që shpresojmë se do të imitojë”, shkroi DeVos në letrën e saj.

63-vjeçarja DeVos është emri i fundit në listën e gjatë të dorëheqjeve në administratën e presidentit Trump mes trazirave të fundit, që përfshin të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për Irlandën Veriore, Mick Mulvaney, i cili ishte ish-shef i stafit të Trump-it, si dhe sekretaren e transportit, Elaine Chao, që njoftuan dorëheqjen gjatë ditës së djeshme.

Të mërkurën dhanë dorëheqjen zv/këshilltari i sigurisë kombëtare, Matt Pottinger, shefja e stafit të zonjës së parë Melania Trump, Stephanie Grisham, zv/sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews, si dhe sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta.

Sipas raportimeve, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, Robert O’Brien dhe zv/shefi i stafit të presidentit, Chris Liddell, po ashtu po konsiderojnë dorëheqjen.

Mes thirrjeve në rritje nga ligjvënësit demokratë, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dje tha se zv/presidenti në largim, Mike Pence, duhet të aktivizojë amendamentin e 25-të të të kushtetutës së SHBA-ve për të rrëzuar presidentin Trump.

Reagime nga kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës për dhunën në Uashington

Jamie Dettmer

Për një moment, bota e harroi pandeminë e koronavirusit.

Kanalet e lajmeve në të gjithë botën u zhvendosën nga njoftimet për spitalet e mbingarkuara ose përhapja e vaksinave dhe vendosja e bllokimeve për t’u përqendruar në Shtetet e Bashkuara dhe sulmet ndaj Kongresit nga qindra protestues.

Kundërshtarët dhe aleatët e Amerikës nxorrën mësime të ndryshme nga trazirat, që ndodhën menjëherë pasi Presidenti Donald Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij në një tubim aty pranë për “të rimarrim vendin në dorë “. Përpjekja dështoi dhe Joe Biden u konfirmua si presidenti i zgjedhur nga Kongresi të enjten herët në mëngjes.

Aleatët ishin të shtangur nga imazhet që transmetoheshin nga Uashingtoni. Armiqtë reaguan me entusiazëm.

Disa qeveri e panë kaosin si një përpjekje serioze në minutën e fundit nga mbështetësit e zotit Trump për të përmbysur zgjedhjet. Të tjerët, ndërsa e konsideruan dhunën si të rëndë dhe zhgënjyese, shprehën besim të vazhdueshëm në qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane.

Kryeministri Australian Scott Morrison dënoi ato që ai i përshkroi si “skena shumë shqetësuese” por tha se ai priste me padurim transferimin e pushtetit tek presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë në Twitter një “traditë të madhe demokratike amerikane”.

Në një video të postuar në Twitter, Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka përballuar një situatë me protesta në rrugë vitin e kaluar, përshkroi sulmin ndaj Kongresit si “jo Amerikë”, duke shtuar se ai kishte “besim në forcën e demokracisë në Shtetet e Bashkuara. ”

Kjo pikëpamje u nda nga Ministrja e Jashtme e Zelandës së Re Nanaia Mahuta, e cila tha se ngjarjet në Uashington ishin një burim keqardhjeje, por se Zelanda e Re priste tranzicionin paqësor të pushtetit.

“Dhuna nuk ka vend në sabotimin e demokracisë,” shkroi ajo në Twitter. “Ne shpresojmë për një tranzicion paqësor të administratës politike, e cila është shenja dalluese e demokracisë.”

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian gjithashtu theksuan se nuk kanë dyshime për përparimin e mëtejshëm të demokracisë amerikane.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, tha ndërsa ishte i tronditur nga ngjarjet në Uashington, ai e përshkroi Kongresin e Sh.B.A si një “tempull të demokracisë”.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen theksoi “forcën e institucioneve të Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë”, duke thënë se ajo mezi priste të punonte me presidentin e ardhshëm, Joe Biden.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se ai ishte “thellësisht i shqetësuar dhe i trishtuar” nga ajo që ishte shpalosur në Uashington, por tha se “demokracia në SHBA duhet të ruhet – dhe ashtu do të ndodhë.”

Armiqtë e përdorën ngjarjen për të fituar pikë gjeopolitike. Venezuela, e cila është sanksionuar nga SHBA dhe vendet Evropiane për abuzime të të drejtave të njeriut, tha se Shtetet e Bashkuara “po vuajnë atë që kanë shkaktuar në vendet e tjera me politikën e tyre të agresionit.”

Ministria e Jashtme e Kinës megjëherë i etiketoi pro-Trump si “banditë, ekstremistë dhe kriminelë”, por i krahasoi ata me aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong, të cilët kanë protestuar për shtypjen e fjalës së lirë dhe mospajtimit dhe minimin të demokracisë.

“Disa njerëz në Shtetet e Bashkuara reaguan dhe përdorën fjalë shumë të ndryshme ndaj asaj që ndodhi në Hong Kong në 2019 dhe asaj që po ndodh në SHBA sot. Ky kontrast i mprehtë dhe arsyet prapa tij janë provokuese,” tha të enjten zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Presidenti i Iranit përmendi sulmet ndaj Kapitolit të SHBA-së si një shembull i dobësisë së demokracisë perëndimore. Duke folur të enjten, Presidenti Hassan Rouhani tha, “Ajo që pamë në Shtetet e Bashkuara tregon mbi të gjitha se sa e brishtë dhe e ekspozuar është demokracia perëndimore.”

Antonio Guterres

Antonio Guterres

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ishte “trishtuar” nga hyrja e dhunshme në Kapitol, sipas zëdhënësit Stephane Dujarric.

“Në rrethana të tilla, është e rëndësishme që udhëheqësit politikë të theksojnë tek ndjekësit e tyre nevojën për të hequr dorë nga dhuna, si dhe për të respektuar proceset demokratike dhe sundimin e ligjit,” tha zoti Dujarric në një deklaratë.

Ministrja e Brendshme britanike Priti Patel tha se komentet e zotit Trump çuan drejtpërdrejt në dhunën që ndodhi në Uashington, duke shtuar se ai “bëri shumë pak për të zbutur” situatën.

Duke folur në Sky News, zonja Patel i përshkroi Shtetet e Bashkuara si një fener i demokracisë por dënoi trazirat e së mërkurës.

“Dikush u qëllua. Njerëzit kanë vdekur. Kjo është e tmerrshme – e tmerrshme përtej fjalëve, sinqerisht, dhe nuk ka asnjë justifikim për një gjë të tillë.”

Kryeministri britanik Boris Johnson shkroi në Twitter, “Skena të turpshme në Kongresin e SHBA. Shtetet e Bashkuara mbrojnë demokracinë në të gjithë botën dhe tani është thelbësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit.”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ndihej “e indinjuar dhe gjithashtu e trishtuar” nga ngjarjet. Ajo tha në një takim të konservatorëve gjermanë: “Më vjen shumë keq që Presidenti Trump ende nuk e ka pranuar humbjen, por ka ngritur dyshime në lidhje me zgjedhjet.”

Politikanët dhe analistët e tjerë diskutuan mbi ndikimin afatgjatë të trazirave. Disa sugjeruan që ngjarjet e së mërkurës, dhe ato që i paraprinë atyre, treguan rrënjosjen e thellë të demokracisë në Shtetet e Bashkuara.

“Baballarët e Kombit ndërtuan themele të forta”, argumentoi Tom Tugendhat, një ligjvënës i lartë Konservator Britanik dhe kryetar i komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit. “Kjo është e qartë nga rezistenca e gjykatësve ndaj presionit politik në më shumë se 60 çështje gjyqësore të cilat Presidenti Trump i ka humbur duke u përpjekur të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Edhe ata gjyqtarë të emëruar nga republikanët, disa nga vetë Trump, e kanë bërë të qartë se dështimi i tij për të paraqitur prova të mashtrimit elektoral i bën pretendimet e tij të pabazuara dhe i kanë hedhur poshtë ato.”

Zoti Tugendhat gjithashtu vuri në dukje se si zyrtarët shtetërorë nga Partia Republikane e zotit Trump refuzuan në mënyrë të ngjashme t’i nënshtroheshit presionit për të përmbysur rezultatet.

“Kjo nuk është një demokraci që po shembet,” tha ai.

Duke folur për Zërin e Amerikës, ligjvënësja britanike Lisa Nandy, zëdhënëse ndërkombëtare e partisë kryesore të opozitës, asaj Laburistetha: “Në të gjithë Britaninë shumica e njerëzve thjesht shikonin me një ndjenjë të vërtetë shoku dhe tmerri. Amerika shihet në Britani si një nga demokracitë e mëdha të botës. Unë mendoj se emocioni dërrmues që shumica e britanikëve po ndjenin ishte solidariteti.”

Ajo tha se ishte i pashmangshëm dëmtimi i reputacionit të Amerikës nga një turmë që sulmon Kongresin dhe se kjo mund të “inkurajojë disa nga ata udhëheqës në të gjithë botën që aktualisht po përpiqen të sulmojnë demokracinë në vendin e tyre”. Por shtoi ajo: “Megjithatë, dita e djeshme solli edhe optimizëm. Tingëllon si një gjë e çuditshme ta thuash, por mënyra se si Joe Biden doli dhe bëri thirrje për qetësi dhe foli për sulmin ndaj demokracisë, ishte tregues i udhëheqjes që nuk kemi parë në Shtetet e Bashkuara për disa vjet. ”

Policia e Kapitolit refuzoi ofertat për ndihmë kundër protestës së dhunshme

Marrë nga Associated Press

Tre ditë para protestës së dhunshme të mbështetësve të Presidentit Donald Trump në Kapitol, Pentagoni pyeti Policinë e kompleksit të Kongresit amerikan nëse kishte nevojë për trupa shtesë të Gardës Kombëtare. Ndërsa turma filloi të shkonte drejt Kapitolit të mërkurën, udhëheqësit e Departamentit të Drejtësisë i ofruan policisë në ndërtesën e Kongresin ndihmë me agjentë të FBI-së. Policia e Kapitolit i hodhi poshtë të dyja kërkesat, sipas një zyrtari të mbrojtjes dhe dy personave me njohuri për këtë çështje.

Pavarësisht paralajmërimeve të shumta për një kryengritje të mundshme dhe burimeve të mjaftueshme dhe kohës për t’u përgatitur, Policia e Kapitolit bëri plane vetëm për një protestë të lirisë së shprehjes.

Duke marrë parasysh reagimin e dhunshëm të forcave të rendit ndaj protestave të qershorit të kaluar pranë Shtëpisë së Bardhë, zyrtarët gjithashtu kishin si qëllim të shmangnin krijimin e përshtypjes se qeveria federale po dislokonte ushtarë ose trupa të Gardës Kombëtare për t’u përdorur kundër amerikanëve.

Kjo rezultoi në vërshimin e protestuesve në Kapitol dhe në mbingarkesën e oficerëve të një agjencie të zbatimit të ligjit me një buxhet të madh operativ dhe përvojë në ngjarje të sigurisë së lartë që mbrojnë ligjvënësit, të mërkurën. Katër protestues vdiqën, duke përfshirë një grua, e cila u qëllua me armë brenda ndërtesës.

Trazirat dhe humbja e kontrollit nga policia kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në Kapitol për ngjarjet e ardhshme. Veprimet e ditës së mërkurë gjithashtu ngrenë shqetësime në lidhje me trajtimin e mbështetësve kryesisht të bardhë të Preisdentit Trump që u lejuan të endeshin nëpër ndërtesë për orë të tëra, ndërsa protestuesit afrikano-amerikanë dhe ata me ngjyrë që protestuan vitin e kaluar kundër brutalitetit të policisë u përballën me një polici më të fuqishme dhe më agresive.

“Ky ishte një dështim i imagjinatës, një dështim i udhëheqjes”, tha Shefi i Policisë së Hjustonit, Art Acevedo, departamenti i të cilit iu përgjigj ndaj disa protestave të mëdha vitin e kaluar pas vdekjes në duart e policisë të afrikano-amerikanit George Floyd. “Policia e Kapitolit duhet të jetë më e përgatitur dhe nuk shoh se si mund ta trajtojmë këtë ndryshe.”

Zoti Acevedo tha se ai ka marrë pjesë në ngjarje në Kapitol për të nderuar oficerët e vrarë të policisë që kishin gardhe më të larta dhe një prani më të fortë të sigurisë sesa ajo që ai pa në videot e ngjarjeve të së mërkurës.

Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy tha se ndërsa trazirat ishin duke u zhvilluar, u bë e qartë se Policia e Kapitolit ishte zbrapsur. Nuk ishin bërë plane paraprakisht për mënyrën se si duhet të vepronin forcat e sigurisë në rast të një problemi në Kapitol. “Ata duhet të na pyesin, kërkesa duhet të na vijë”, tha zoti McCarthy.

Një ditë pas protestës së dhunshme, shefi i Sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve dha dorëheqjen dhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuescve, Nancy Pelosi kërkuan dorëheqjen e shefit të Policisë së Kapitolit.

“Kishte një dështim të udhëheqjes së lartë”, tha ligjvënësja demokrate nga Kalifornia, Nancy Pelosi.

Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund tha të enjten se do të jepte dorëheqjen duke filluar nga 16 janari sipas një letre të cituar nga mediat, një ditë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump sulmuan ndërtesën dhe detyruan ligjvënësit të fshiheshin.

Senatori demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës së re në senat, tha se ai do të pushojë nga detyra Shefin e Sigurisë së Senatit.

Më vonë të ejten, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell tha se kishte pranuar dorëheqjen e Shefit të Sigurisë së Senatit, Michael Stenger. Senatori nga Kentaki me herët kishte kërkuar dorëheqjen e zotit Stenger.

Kapitoli amerikan ishte mbyllur për publikun që nga marsi për shkak të pandemisë së Covid-19, e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 350,000 amerikanëve. Por normalisht, ndërtesa është e hapur për publikun dhe ligjvënësit krenohen me disponueshmërinë e tyre për qytetarët që i përfaqësojnë.

Nuk është e qartë se sa oficerë ishin në detyrë të mërkurën, por kompleksi 16 hektarësh mbrohet nga një total prej 2,300 oficerësh, të cilët kujdesen për sigurinë e 435 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, 100 senatorëve amerikanë dhe stafin e tyre. Në krahasim me Kapitolin, qyteti i Mineapolisit ka rreth 840 policë që kujdesen për sigurinë e 425,000 banorëve në një zonë prej 6,000 hektarësh.

Në javët para së mërkurës kishte shenja se mund të kishte veprime të dhunshme më 6 janar, ditën kur Kongresi do të mblidhej për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që nxorrën fitues demokratin Joe Biden.

Në platforma të ndryshme të grupeve të ekstremit të djathtë dhe në qarqet grupeve pro-Trump, po bëheshin plane për një gjë të tillë.

Udhëheqësi i grupit ekstremist të djathtë Proud Boys u arrestua kur po vinte në kryeqytetin e vendit këtë javë me akuzën për armëmbajtje, për bartjen e dy karikatorëve me kapacitet të lartë. Ai pranoi në polici se kishte bërë deklarata në lidhje me trazirat në Uashington, thanë zyrtarët lokalë.

Si zoti Acevedo edhe Ed Davis, ish-komisioner i Policisë së Bostonit i cili drejtoi departamentin gjatë bombardimeve në Maratonën e Bostonit në vitin 2013, thanë se ata nuk fajësojnë reagimin e oficerëve të vijës së parë të frontit, por masat e planifikimit dhe udhëheqjen e treguar para trazirave.

“A mund të ketë pasur ndonjë mendim të brendshëm se ata ishin thjesht një grup konservatorësh, dhe nuk do të bënin një gjë të tillë? Ka shumë mundësi,” tha zoti Davis. “Pikërisht këtu mendoj se mund të ketë luajtur rol elementi racor. A kishte një mungesë urgjence ose një ndjenjë që kjo nuk mund të ndodhte kurrë me këtë turmë? A është e mundur një gjë e tillë? Absolutisht.”

Zoti Trump dhe aleatët e tij ishin ndoshta megafonët më të mëdhenj, duke inkurajuar protestuesit të dilnin në rrugë në masë dhe të mbështesnin pretendimin e tij të rremë se fitorja në zgjedhje ishte grabitur prej tij. Ai i nxiti gjatë një tubimi pak para se të marshonin për në Kapitol dhe të bënin trazira. Avokati i tij personal Rudy Giuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj krimit bëri thirrje për “gjykim përmes luftës”.

Por Policia e Kapitolit nuk kishte vendosur asnjë perimetër të fortë rreth Kapitolit. Oficerët ishin përqendruar në njërën anë, ku ligjvënësit po hynin për të votuar për të vërtetuar fitoren e zotit Biden.

Barrikadat në sheshin e ndërtesës u vendosën, por policia u tërhoq dhe një turmë njerëzish depërtoi me forcë. Ligjvënësit në fillim të pavetëdijshëm për shkeljen e sigurisë, vazhduan debatin. Shpejt ata po fshiheshin poshtë karrigeve. Përfundimisht ata u nxorrën nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Gazetarët mbetën vetëm brenda sallave për orë të tëra, ndërsa turma u përpoq të depërtonte në zyrat me dyer të bllokuara.

“Sulmi i dhunshëm ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara ishte ndryshe nga çdo gjë që kam përjetuar ndonjëherë në 30 vitet e shërbimit për zbatimin e ligjit këtu në Uashington,” tha Shefi i Policisë së Kapitolit, Steven Sund, duke shpjeguar se kishte pasur një plan të fortëpër ato që ai priste të ishin aktivitete në frymën e Amendamentit të Parë, që parashikon lirinë e shprehjes.“Por nuk ka diskutim qëkëto trazira masive nuk ishin aktivitete të Amendamentit të Parë; ato ishin një manifestim trazirash kriminale.”

Gus Papathanasiou, kreu i sindikatës së Policisë së Kapitolit, bëri thirrje që zoti Sund të zëvendësohet, duke thënë që dështimet në planifikim i lanë oficerët të ekspozuar pa mbështetje ose pajisje për t’u mbrojtur ndaj turmave të mëdha.

“Nuk mund t’i lëmë oficerët tanë dhe komunitetin e zonës përreth Kongresit që ata mbrojnë në mëshirën e sulmeve të mëtejshme mes një mungese të udhëheqjes,” tha ai.

Zyrtarë të drejtësisë, FBI-ja dhe agjenci të tjera filluan të monitorojnë hotelet, fluturimet dhe mediat sociale për javë të tëra dhe prisnin turma masive. Kryebashkiakja Muriel Bowser kishte paralajmëruar për dhunë për javë të tëra dhe për këtë shkak bizneset ishin mbyllur. Ajo i kërkoi ndihmë Gardës Kombëtare nga Pentagoni më 31 Dhjetor, por Policia e Kapitolit hodhi poshtë ofertën e 3 janarit nga Departamenti i Mbrojtjes, sipas Kenneth Rapuanos, ndihmës sekretar i mbrojtjes për sigurinë e kombëtare.

Oferta e Departamentit të Drejtësisë për mbështetje nga ana e FBI-së ndërsa protestuesit u bënë gjithnjë e më tëdhunshëm u refuzua nga Policia e Kapitolit, sipas dy personave në dijeni të kësaj çështjeje. Ata nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht çështjen dhe folën në kushte anonimiteti.

Por atëherë ishte tepër vonë.

Zyrtarët e Departamentit të Policisë Metropolitane arritën. U thirrën agjentë nga pothuajse çdo agjenci e Departamentit të Drejtësisë, përfshirë FBI-në. Po ashtu edhe Shërbimi Sekret dhe Shërbimi i Mbrojtjes Federale. Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve dërgoi dy ekipe taktike. Policia nga Nju Xhërsi mbërriti për të ndihmuar.

U deshën katër orë për të shpërndarë protestuesit nga kompleksi i Kapitolit. Deri në atë kohë, ata kishin qarkulluar lirisht nëpër sallat e Kongresit, kishin pozuar për foto brenda sallave të shenjta të institucionit amerikan, kishin hyrë në zyra, duke shtyrë me forcë dyert, kishin shkaktuar dëme materiale dhe kishin fotografuar veten duke i bërë këto veprime. Vetëm 13 vetë u arrestuan në vend, dhjetra u arrestuan më vonë.

Si pasojë, një gardh prej 7 metrash do të ngrihet përreth territorit tëKapitolit për të paktën 30 ditë. Policia e Kapitolit do të kryejë një rishikim të ngjarjes, si dhe planifikimin dhe politikat e tyre. Ligjvënësit planifikojnë të hetojnë se si autoritetet i trajtuan trazirat.

Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i Uashingtonit, Michael Sherwin, tha se fakti që nuk u arrestuan më shumë njerëz, po e bën punën e tyre më të vështirë.

“Tani do të na duhen urdhra për informacionet e kullave të celularëve, të mbledhim pamje videosh që të përpiqemi të identifikojmë njerëzit dhe më pas t’i akuzojmë, dhe pastaj të përpiqemi të realizojmë arrestimin e tyre. Kështu që kjo i ka bërë gjërat të vështira, por nuk mund të përgjigjem pse ata njerëz nuk u ndaluan ndërsa po largoheshin nga ndërtesa nga Policia e Kapitolit.” VOA

Presidenti Trump dënon dhunën në Kapitol, pranon humbjen ndaj zotit Biden

Marrë nga Reuters dhe AP

Presidenti Donald Trump të enjten dënoi mbështetësit e tij të dhunshëm që sulmuan Kapitolin të mërkuren dhe pranoi humbjen ndaj rivalit të tij demokrat, Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një video-mesazh të ri, Presidenti Trump tha se tani që Kongresi ka certifikuar rezultatet, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe “fokusi i tij tani kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe rregullt të pushtetit”.

Ai gjithashtu foli kundër dhunës në Kapitol, duke e quajtur atë një “sulm të neveritshëm”. Presidenti Trump tha se ishte i “zemëruar nga dhuna, si dhe shkelja e ligjit dhe rendit”.

Zoti Trump nuk foli mbi rolin e tij në nxitjen e dhunës. Por ai u tha mbështetësve të tij se, ndërsa ai e di se ata janë “të zhgënjyer”, ai dëshiron që ata ta dinë se “udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka filluar.”

Kjo përbën një ndryshim qëndrimesh për zotin Trump, i cili është përballur me thirrje në rritje për dorëheqje ose shkarkim nga detyra pas trazirave të dhunshme të së mërkures në Uashington. Presidenti Trump për dy muaj ka këmbëngulur se ai i kishte fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, të shoqëruara me manipulime dhe parregullsi, pa dhënë prova.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer i bënë thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga detyra Presidentin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin. VOA

SHBA: Jep dorëheqjen Sekretarja e Transportit, Elaine Chao

VOA

Sekretarja amerikane e Transportit Elaine Chao tha të enjten se do të japë dorëheqjen, pas sulmit ndaj Kapitolit.

Zonja Chao, gruaja e udhëheqësit të shumicës së senatit Mitch McConnell, tha se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi të hënën. Ajo tha se sulmi “më ka shqetësuar thellë në një mënyrë që unë thjesht nuk mund ta injoroj”.

Ish Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Mick Mulvaney tha se ai do të largohet nga posti i tij diplomatik, duke iu shtuar listës në rritje të dorëheqjeve nga administrata Trump pas ngjarjeve të së mërkurës në Kapitol.

Zoti Mulvaney njoftoi të enjten se po jepte dorëheqjen si i dërguar i posaçëm në Irlandën e Veriut dhe tha se zyrtarë të tjerë të administratës kanë shqyrtuar mundësinë për dorëheqje.

“Nuk mund ta bëj. Nuk mund të qëndroj”, tha Mulvaney për kanalin CNBC. “Ata që zgjedhin të qëndrojnë, dhe unë kam biseduar me disa prej tyre, po zgjedhin të qëndrojnë sepse janë të shqetësuar se presidenti mund të sjellë dikë më të keq”.

Zoti Mulvaney tha se të mërkurën mbrëma ai informoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo për dorëheqjen.

Menjëherë pas kësaj, zëvendës ndihmësi i sekretarit të Departamentit të Tregtisë për inteligjencën dhe sigurinë, John Costello, tha se dhuna e shtyu atë të dorëhiqej.

“Ngjarjet e djeshme ishin një sulm i pashembullt në zemrën e demokracisë sonë – të nxitur nga një President në detyrë”, tha zoti Costello në Twitter. “Presidenti prej një kohëetë gjatë nuk e ka përfillur dhe e ka minimizuar sundimin e ligjit dhe Kushtetutën. Dje, kjo arriti kulmin me një kryengritje të dhunshme kundër Kongresit,” u shpreh ai.

Një nga strategët kryesorë të politikës për Kinën, Matt Pottinger, njoftoi dorëheqjen të mërkurën. Një zyrtar i lartë i administratës tha se Pottinger dha dorëheqjen në përgjigje të reagimit të zotit Trump ndaj turmës së protestuesve në Kapitol.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, shefi i zotit Pottinger, i kërkoi atij të qëndronte në pozicionin që ka për të lehtësuar kalimin drejt administratës së re të zotit Biden, por zyrtari tha se Pottinger “i ka përfunduar ato detyra”.

Stephanie Grisham, shefja e kabinetit të zonjës së Parë Melania Trump, e cila më parë ka qenë sekretare shtypi e Shtëpisë së Bardhë, ishte zyrtarja e parë e administratës që njoftoi dorëheqjen të m mërkurën. Zëvendës sekretarja e shtypit Sarah Matthews dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj, e ndjekur nga sekretari për çështjet sociale të Shtëpisë së Bardhë Rickie Niceta, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Numri në rritje i dorëheqjeve dhe kritikave nga disa prej aleatëve më të afërt politikë të zotit Trump në lidhje me sjelljen e tij përbën një qortim të qartë ndaj presidentit. Sipas burimeve, në ditët në vijim mund të ketë dorëheqje të tjera.

Pelosi, thirrje për heqjen e Presidentit Donald Trump

Marrë nga Reuters

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se pret një vendim të shpejtë nga ana e Nënpresidentit Mike Pence nëse ai do të aktivizojë amerndamentin e 25-të të Kushtetutës për ta hequr zotin Trump nga detyra.

Presidenti Donald Trump po përballet me thirrje në rritje për largimin nga posti, një ditë pas trazirave në Kapitol të shkaktuara nga mbështetës të Presidentit.

Megjithëse zotit Trump i kanë mbetur vetëm 13 ditë nga mbarimi i mandatit, ka patur kërkesa të shumta për heqjen e tij nga posti, mes tyre nga demokratë të Senatit dhe nga një kongresmen republikan.

Zonja Pelosi, në komentet e bëra të enjten la gjithashtu të hapur mundësinë që ndaj Presidentit të fillojë procesi i shkarkimit nga posti.

Ajo tha se ata që hynë me forcë në Kapitol janë terroristë.

Kongresi çertifikoi zyrtarisht të enjten herët në mëngjes fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, pavarësisht kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Ndërkaq, edhe anëtarë të kabinetit të zotit Trump dhe aleatë të presidentit republikan kanë diskutuar aktivizimin e një dispozite të Kushtetutës amerikane për heqjen e tij nga detyra, tha një burim që kishte dijeni për situatën.

Në Uashington, një numër në rritje i ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë thanë se do të largoheshin, duke përfshirë të dërguarin diplomatik Mick Mulvaney, ish-shef i kabinetit të zotit Trump, dhe këshilltarin e lartë për Rusinë Ryan Tully. Së shpejti priten largime të tjera.

Udhëheqësi Demokrat i Senatit Chuck Schumer i bëri thirrje Nënpresidentit Mike Pence të heqë nga posti zotin Trump në bazë të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili lejon anëtarët e kabinetit të rrëzojnë një president kur konsiderohet i paaftë për postin. Të paktën një republikan dhe 19 demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve bënë thirrje për një hap të tillë.

“Ajo që ndodhi dje në Kapitol të SHBA ishte një kryengritje kundër Shteteve të Bashkuara, e nxitur nga presidenti”, tha zoti Schumer në një deklaratë. “Ky president nuk duhet të qëndrojë në detyrë as edhe një ditë më shumë.”

“Nëse Nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë ta bëjnë, Kongresi duhet të mblidhet përsëri për të nisur procedurat e shkarkimit të Presidentut,” tha ai.

Kongresmeni republikan Adam Kinzinger bëri thirrje që të aktivizohet amendamenti i 25-të për të hequr zotin Trump.

“Të gjitha indikacionet janë se presidenti është bërë i pandjeshëm, jo vetëm për detyrën dhe betimin që ka dhënë, por edhe ndaj vetë realitetit,” tha Kinzinger në një video që postoi në Twitter.

Një burim i njohur me situatën tha se përpjekja për të përdorur amendamentin në fjalë nuk duket se mund të ketë sukses.

Shumica e republikanëve në Kongres kanë treguar pak interes për të bërë presion mbi kabinetin që të ndërmarrë një hap të tillë.

Senatorja demokrate Amy Klobuchar tha se Kabineti i zotit Trump duhet të jetë i përgatitur të veprojë, pasi presidenti mund të shkaktojë probleme të tjera në kohën e tij të mbetur në detyrë.

Është më mirë të jenë gati ta bëjnë këtë nëse vazhdon, sepse nuk mund të kesh një president që në thelb drejton një kryengritje kundër qeverisë së vendit tonë,” tha zonja Klobuchar për rrjetin CBS.

Presidenti Trump u zotua në një deklaratë herët në mëngjes për një “tranzicion të rregullt” përpara inaugurimit të zotit Biden, pjesërisht për të ndaluar largimin e njerëzve të tjerë të stafit të tij. Megjithatë ai ka vazhduar të përsërisë pohimin e pabazë se zgjedhjet u vodhën.

Gjithashtu ai nuk e ka dënuar dhunën që ndodhi pasi ai inkurajoi mbështetësit të marshonin drejt Kapitolit, pavarësisht lutjeve nga anëtarë të lartë të administratës.

“I lutem Presidentit dhe të gjithë zyrtarëve të zgjedhur të dënojnë me forcë dhunën që ndodhi dje,” tha Sekretari në detyrë i Sigurisë së Brendshme Chad Wolf.

Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimit i kërkoi publikut informacione për identifikimin e personave të përfshirë në dhunë, gjatë së cilës humbën jetën katër persona. VOA

Shtohen thirrjet për largimin e Trumpit nga Zyra Ovale

Republikani Adam Kinzinger i ka bërë thirrje nënpresidentit aktual amerikan, Mike Pence që të aktivizojë amendamentin e 25 të Kushtetutës amerikane dhe të marrë përgjegjësit e presidentit, pasi sipas tij, presidenti Donald Trump ka “abdikuar” nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan.

“Fatkeqësisht, dje u pa se presidenti jo vetëm që ka abdikuar nga detyra e tij për të mbrojtur popullin amerikan dhe Kongresin”, tha Kinzinger, që është përfaqësues i qarkut të 16-të të Illinois në Dhomën e Ulët të Kongresit amerikan.

Amendamenti 25, i ratifikuar më 1967 dhe i miratuar pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy në vitin 1963, ka të bëjë me zëvendësimin e postit të presidentit dhe paaftësinë për të kryer detyrën.

Kinzinger tha se presidenti aktual, Donald Trump me veprimet e tij nxiti edhe më shumë situatën më 6 janar, kur mbështetësit e tij, hynë me dhunë në ndërtesën e Kongresit, ku po mbahej seanca për konfirmimin e fitores në zgjedhjet presidenciale, të demokratit Joe Biden.

“Është koha për të aktivizuar amendamentin e 25-të dhe t’i japim fund këtij makthi”, tha ai, duke argumentuar se nënpresidenti Pence dhe anëtarët e kabinetit duhet që të sigurohen, që deri në inaugurimit të Bidenit si president, më 20 janar, qytetarët amerikanë të jenë të sigurt.

Edhe lideri i demokratëve në Senatin amerikan, Chuck Schumer ka bërë thirrje që presidenti Donald Trump, të “largohet menjëherë” nga zyra.

“Ajo çfarë ndodhi dje në Kongres ishte kryengritje ndaj Shteteve të Bashkuara, që u nxit nga presidenti. Ky president nuk duhet të qëndrojë asnjë ditë më shumë në zyrën e tij”, tha ai në një deklaratë.

Schumer shtoi se nënpresidenti Mike Pence duhet të aktivizojë amendamentin 25 të Kushtetutës, që i lejon atij transferimin e pushtetit nga presidenti te nënpresidenti.

“Nëse nënpresidenti dhe kabineti refuzojnë që ta bëjnë një gjë të tillë, Kongresi duhet të takohet për të nisur procesin gjyqësor (që në anglisht njihet me termin impeachmet” ndaj presidentit”, tha ai.

Për aktivizimin e Amendamentit 25, Pence dhe shumica e kabinetit të presidentit Trump do të duhet të deklarojnë se Trump është i paaftë që të ushtrojë detyrat e Presidencës dhe ta largojnë atë. Në këtë rast, Pence do ta merrte detyrën e presidentit.

Më 6 janar, protestuesit e dhunshëm, përkrahës të Trumpit ndërprenë për disa orë punimet e seancës së përbashkët të Kongresit. Në këtë ngjarje mbetën të vdekur katër persona, njoftuan autoritetet.

Kongresi më pas vazhdoi punimet dhe certifikoi fitoren e Bidenit.

Kandidatët demokratë Warnock dhe Ossoff fitojnë në Xhorxhia

VOA

ATLANTA – Demokratët fituan në Xhorxhia të dyja vendet e Senatit dhe së bashku me to edhe shumicën e Senatit amerikan. Votat përfundimtare u numëruan të mërkurën, duke i dhënë Presidentit Donald Trump një humbje tronditëse në ditët e tij të fundit në detyrë dhe duke përmirësuar në mënyrë dramatike fatin e axhendës progresive të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Jon Ossoff dhe Raphael Warnock, sfidantët demokratë, që përfaqësuan larminë e koalicionit në zhvillim të partisë së tyre, mundën republikanët David Perdue dhe Kelly Loeffler, dy muaj pasi zoti Biden u bë presidenti i parë demokrat që nga viti 1992 që fiton në këtë shtet.

Zoti Warnock, i cili shërbeu si pastor për të njëjtën kishë të Atlantës, ku predikoi lideri i të drejtave civile Martin Luther King Jr., bëhet i pari afrikano-amerikan nga Xhorxhia që zgjidhet në Senat. Gjithashtu, zoti Ossoff bëhet senatori i parë hebre i këtij shteti dhe, në moshën 33 vjeçare, anëtari më i ri i Senatit.

Suksesi i tyre është simbol i një zhvendosje të mprehtë të përbërjes shoqërore të Xhorxhias.

Votuesit duke pritur radhën në qytetin Marietta, Xhorxhia

Votuesit duke pritur radhën në qytetin Marietta, Xhorxhia

Zgjedhjet e kësaj jave shënojnë fundin e sezonit të trazuar të zgjedhjeve 2020. Nga barra e pazakontë e vendimmarrjes, Xhorxhia, dikur një shtet solid republikan, u shndërrua në një nga fushat kryesore të betejës politike gjatë ditëve të fundit të presidencës Trump – dhe ndoshta edhe më gjerë.

Në një fjalim emocional të mërkurën herët, zoti Warnock u zotua të punojë për të gjithë banorët e Xhorxhias, për ata që votuan për të apo jo, duke përmendur përvojën e tij personale me ëndrrën amerikane. Nëna e tij, tha ai, mblidhte “pambukun e dikujt tjetër” kur ishte adoleshente.

“Ditën tjetër, sepse kjo është Amerika, duart 82-vjeçare që mblidhnin pambukun e dikujt tjetër, zgjodhën djalin e saj më të ri për të qenë një senator i Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Sonte, ne dëshmuam se me shpresë, punë të palodhur dhe njerëzit përkrah nesh, gjithçka është e mundur”.

Në një intervistë me emisionin “Good Morning America” të kanalit ABC, ai e përshkroi fitoren e tij si një “përmbysje të strategjisë së vjetër të Jugut që kërkonte të ndante njerëzit”.

Zonja Loeffler, e cila vazhdon të jetë senatore e Xhorxhias derisa të finalizohen rezultatet e zgjedhjeve të së martës, u kthye në Uashington të mërkurën në mëngjes për t’iu bashkuar një grupi të vogël senatorësh që planifikonin të sfidonin votimin në Kongres për të çertifikuar fitoren e zotit Biden.

Tashmë që demokratët fituan të dyja vendet, Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të jetë në gjendje të hedhë votën përcaktuese të çdo legjislacioni që Presidenti i zgjedhur Joe Biden dëshiron të miratohet në dy vitet e tij të para në detyrë. Por disa votues në Xhorxhia thonë se me Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, do të ishte më mirë të kishte një qeveri ku pushteti politik të mbetet i ndarë.

“Unë nuk besoj se nëse një parti kontrollon të gjithë Kongresin dhe presidencën, do të shohim që të gjithë ne të përfaqësohemi plotësisht”, thotë Lon Sperry votues në Xhorxhia.

Presidenti në largim bëri fushatë për të dy republikanët, duke kritikuar zyrtarët e zgjedhjeve në atë shtet dhe duke pretenduar pa prova se zgjedhjet e nëntorit u manipuluan. Disa republikanë janë të shqetësuar se pretendimet e presidentit mund të kenë dekurajuar mbështetësit e tij të votojnë.

SHBA: Kongresi certifikon rezultatet e zgjedhjeve presidenciale

VOA

Kongresi amerikan konfirmoi mëngjesin e së enjtes fitoren e presidentit të zgjedhur Joe Biden, në një proces ceremonial që u ndërpre për disa orë të mërkurën pas dhunës së pashembullt në Kapitol.

Katër veta humbën jetën ndërsa mbështetësit e presidentit Donald Trump iu përgjigjën thirrjes së tij për të kundërshtuar humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Presidenti Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur dhe të pambështetur se zgjedhjet ishin manipuluar.

Më shumë se gjashtë orë pas shpërthimit të dhunës, ligjvënësit rifilluan punën dhe të dyja dhomat e Kongresit hodhën poshtë një lëvizje nga aleatët e presidentit Donald Trump për të kundërshtuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale.

Joe Biden është fitues u zgjedhjeve me 306 vota elektorale kundrejt presidentit Donald Trump që mori 232 sosh.

Zoti Biden do të inaugurohet më 20 janar.

Presidenti Donald Trump, tha se “do të ketë një kalim të rregullt pushteti më 20 janar”. Në një deklaratë të shpërndarë nga Dan Scavino, drejtor për mediet sociale, presidenti Trump the se kjo do të ndodhë “ndonëse nuk pajtohet me rezultatin”.

“Unë gjithmonë kam thënë se do të vazhdojmë luftën tonë për të siguruar që vetëm votat e ligjshme të numëroheshin. Ndërsa ky përfaqëson fundin e mandatit të parë më të madh në historinë presidenciale, është vetëm fillimi i luftës sonë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe”, thuhet në deklaratë.

Llogaria e presidentit Trump është bllokuar nga rrjeti twitter.

Si demokratët edhe republikanët dënuan dhunën në Kongres por ndërsa demokratët fajësuan presidentin Trump për nxitjen e saj, shumica e republikanëve nuk e përmendën atë.

“Ne dënojmë në mënyrën më të ashpër dhunën që ndodhi këtu. Pikëllohemi për humbjen e jetës në këto salla të shenjta, si dhe dëmtimet e pësuara nga ata që mbrojtën Kapitolin tonë sot”, tha nënpresidenti Mike Pence.

Ai tha se ata që sulmuan, nuk fituan.

“Dhuna nuk fiton kurrë. Liria fiton, dhe kjo është ende shtëpia e popullit. Ndërsa rimblidhemi në këtë dhomë, bota do të jetë përsëri dëshmitare e rezistencës dhe forcës së demokracisë sonë”, tha zoti Pence.

Kreu i Republikanëve në Senat Mitch McConnell tha se “ne do të kryejmë detyrën tonë sipas Kushtetutës për kombin tonë.”

Kreu i demokratëve në Senat, Chuck Schumer e vuri përgjegjësinë mbi presidentin Trump.

“Kjo do të jetë një njollë në vendin tone, jo aq lehtë për t’u zhdukur. Trashëgimia e fundit, e tmerrshme, e pashlyeshme, e pashlyeshme e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Dorëheqje në Shtëpinë e Bardhë pas dhunës në Kongres

Marrë nga Reuters

Dy këshilltare të larta të Zonjës së Parë, Melania Trump dhanë dorëheqjen të mërkurën pas dhunës në Kongresin amerikan dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Shtëpisë së Bardhë po konsideronin të jepnin dorëheqjen, përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O’Brien dhe zëvendësin e tij, Matthew Pottinger, thanë burime me dijeni për këto zhvillime.

Stephanie Grisham dha dorëheqjen si shefe e kabinetit të zonjës së parë pasi mbështetësit e Presidentit Donald Trump hynë me dhunë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara në një përpjekje për të mos lejuar Kongresin të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

“Ka qenë një nder t’i shërbeja vendit në Shtëpinë e Bardhë. Jam shumë krenarë që isha pjesë e misionit të zonjës Trump për të ndihmuar fëmijët kudo, dhe krenare për shumë arritje të kësaj administrate,” tha zonja Grisham në një deklaratë.

Grisham, e cila ishte për një vit sekretare shtypi e Shtëpisë së Bardhë përpara se të bëhej shefe e stafit të Zonjës së Parë, nuk tha nëse dorëheqja e saj ishte në reagim ndaj dhunës në kryeqytetin e vendit, por një burim i njohur me vendimin e saj tha se dhuna e bindi atë përfundmisht për të.

Edhe sekretarja sociae e Shtëpisë së Bardhë, Rickie Niceta, dha dorëheqjen, ashtu si edhe një zëvendës sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Matthews, thanë dy burime për Reuters.

Zoti O’Brien po konsideronte gjithashtu dorëheqjen, ashtu si edhe zoti Pottinger, zëvendës këshilltari i sigurimit kombëtar i cili ka qenë një zë kryesor për politikën ndaj Kinës brenda administratës, thanë dy burime.

“Sapo fola me Nënpresidentin Pence,” tha zoti O’Brien në një deklaratë më herët të mërkurën, duke shtuar, “Jam krenar që shërbej me të.”

Brenda Shtëpisë së Bardhë kishte gjithashtu zëra se zëvendës shefi i stafit Chris Liddell mund të jepte dorëheqjen, sipas një burimi.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.

Lëndime të shumta u njoftuan dhe një grua humbi jetën nga dhuna në Kapitol, ndërsa mbështetësit e Trump iu përgjigjën thirrjes së presidentit për të protestuar ndaj humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ndaj demokratit Joe Biden. Zoti Trump ka pretenduar në mënyrë të përsëritur dhe të pabazë se zgjedhjet u shoqëruan nga manipulime.

Zoti Biden do të inaugurohet më 20 janar.

Katër të vdekur dhe 52 të arrestuar gjatë protestave të dhunshme në Uashington

VOA

Policia tha se katër veta humben jetën gjatë protestave të së mërkurës para dhe brenda ndërtesës së Kongresit amerikan, përfshirë një grua që u plagos brenda ndërtesës.

Shefi i policisë metropolitane Robert J. Contee, tha se 52 veta janë arrestuar pasi që mbështetësit e presidentit Donald Trump sulmuan Kongresin në një përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Në një konferencë me gazetarë, shefi Contee tha se 47 nga 52 arrestimet e deritashme kishin të bënin me shkelje të vendimit të kryebashkiakes Muriel Bowser për masën e shtetrrethimit. Disa të tjerë u arrestuan me akuza për armëmbajtje pa leje.

Zoti Contee refuzoi të identifikojë gruan që u qëllua dhe u vra nga një polic në Kapitol.

Tre të tjerë humbën jetën të mërkurën për shkak të “emergjencave mjekësore”, tha ai, duke shtuar se 14 pjesëtarë të policisë janë plagosur, dy nga të cilët janë duke u trajtuar në spitale.

Sulmi i së mërkurës mbi ndërtesën e Kapitolit, ishte më i dëmshmi që kur ushtria britanike e dogji atë në vitin 1814, thanë përfaqësues të Shoqatës Historike të Kapitolit.

Pas katër orësh, protestuesit pro-Trump largohen nga Kapitoli

VOAL – Gruaja e plagosur nga të shtënat në Kongres vdiq, raporton NBC, duke cituar forcat e rendit.

Pas katër orësh okupimi të dhunshëm, Kapitoli në Uashington shpallet i sigurt, sipas burimeve zyrtare të raportuara nga Reuters.

Protestuesit pro-Trump kanë filluar protesta të vogla jashtë ndërtesave lokale të Kapitolit në qytete të tjera amerikane, duke përfshirë Atlanta, Denver, Salem (Oregon) dhe Topeka (Kansas).  Kështu raporton CNN. Në Atlanta dhe Denver, tifozët e presidentit janë disa dhjetra që mbajnë flamuj.

Stafi i Senatit arriti të hiqte dhe siguronte fletët e votimit me votat e votuesve të mëdhenj, ata që duheshin për të vërtetuar fitoren e Joe Biden, para se protestuesit pro-Trump të hynin në sallën e gjyqit, raporton CNN.

Pence hapi seancën e çertifikimit, nuk pranoi kërkesën e presidentit për refuzimin e votave elektorale

VOA

Nënpresidenti i SHBA Mike Pence hapi një sesion të përbashkët të Kongresit për të çertifikuar zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit Donald Trump që ai të refuzojë në mënyrë të njëanshme votat elektorale.

Aleatët e zotit Trump në Kongres ndërmorën një përpjekje të fundit për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje, në një seancë që mund të zgjasë përtej mesnatës.

“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, u tha Presidenti Trump mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.

Presidenti Trump ushtroi përsëri presion ndaj nënpresidentit Pence që të përpiqej të përmbyste rezultatin.

Ndërkohë, në një deklaratë të mërkurën, zoti Pence tha se ai ndan shqetësimet në lidhje me “integritetin” e zgjedhjeve, por ai nuk mund të pranojë ose refuzojë votat elektorale në mënyrë të njëanshme.

Kushtetuta nuk i jep nënpresidentit Pence kompetencën për të përmbysur në mënyrë të njëanshme rezultatet e zgjedhjeve, por ai është nën presionin e zotit Trump për ta bërë këtë.

“Është gjykimi im i peshuar se betimi që kam bërë për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën nuk më lejon të pretendoj autoritet të njëanshëm për të përcaktuar se cilat vota elektorale duhet të numërohen dhe cilat jo”, tha ai në deklaratë.

Ai tha se do të bënte detyrën e tij për të garantuar se shqetësimet në lidhje me zgjedhjet do të dëgjohen në mënyrë “të drejtë dhe të hapur”.

“Kur lindin mosmarrëveshje në lidhje me zgjedhjet presidenciale, sipas Ligjit Federal, janë përfaqësuesit e popullit që shqyrtojnë provat dhe zgjidhin mosmarrëveshjet përmes një procesi demokratik,” tha zoti Pence, i cili po kryeson një sesion të përbashkët të Kongresit për çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Hapi rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit po e sfidojnë procesin e çertifikimit.

Procesin e sfiduan të parët ligjvënësit e Arizonës, të cilët bënë që ndalej numërimi i votës.

Refuzimi i tyre u prit me brohoritje nga republikanët e tjerë dhe me një shprehje pakënaqësie nga ligjvënësit demokratë në sallë.

Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, pritet të kthehet në një seancë të tejzgjatur.

Gjatë seancës së nisur në Senat për votat e Arizonës, udhëheqësi i shumicës së Senatit, Mitch McOnnell tha se “Votuesit, gjykatat dhe shtetet e thanë fjalën e tyre. Të gjithë folën. Nëse ne e vëmë veten mbi to, kjo do ta dëmtonte republikën tonë përgjithmonë.”

Tension në Kapitol, protestues pro-Trump hyjnë në ndërtesën e Kongresit

VOA

Ndërtesa e Kongresit amerikan u vu nën izolim për shkak se një numër protestuesish që mbështesin presidentin Donald Trump hynë në kompleksin e Kapitolit, ku ligjvënësit janë mbledhur në seancë për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar, ndërkohë që protestuesit u përplasën me policinë që ruajnë ndërtesën.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen seancat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.

Ligjvënësit ndërprenë seancat që hapën pasdite për çertifikimin e votave elektorale dhe që po zgjaten për shkak të kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.

Njoftohet se protestuesit janë përhapur kudo në ndërtesën e Kapitolit. Policia po i shoqëron anëtarët e Kongresit jashtë ndërtesës për arsye sigurie.

Njoftohet gjithashtu se Nënpresidenti Mike Pence është shoqëruar për në një vend të sigurtë brenda Kapitolit.

Sipas disa njoftimeve, brenda Kapitolit ka patur edhe të shtëna me armë.

Presidenti Trump, në një koment në Twitter, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.

Më parë, gjatë një tubimi, ai u bëri thirrje atyre të marshonin drejt Kapitolit.

Senatorët republikanë Tom Cotton dhe Ron Johnson, mbështetës të Presidentit Trump, e quajtën dhunën në Kapitol të papranueshme dhe u bënë thirrje protestuesve të shpërndahen.

Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit ka shpallur gjendjen e ndalim-qarkullimit duke filluar nga ora 18:00 e së mërkurës deri në orën 6 të mëngjesit.

Më herët të mërkurën, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.

Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump “Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.

Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.

“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. “Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.

Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:

“Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi”.

Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.

Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.

Demokratët një hap më pranë marrjes së kontrollit të Senatit

VOA

Demokratët fituan një garë të Senatit Amerikan në Xhorxhia dhe kanë epërsi të ngushtë në garën tjetër të balotazhit, duke qënë më pranë marrjes së kontrollit të Senatit dhe për të çuar përpara synimet e politikës së Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Demokrati Raphael Warnock fitoi garën e balotazhit në Xhorxhia duke mposhtur kundërshtaren republikane Kelly Loffler. Pastori Warnock do të jetë afrikano-amerikani i parë i zgjedhur për të përfaqësuar shtetin e Xhorxhias në Senatin amerikan.

Demokratët janë një hap më pranë marrjes së kontrollit të Senatit.

Kandidati demokrat Raphael Warnock ka mposhtur republikanen Kelly Loeffler në një nga garat e balotazhit në Xhorxhia. Demokrati tjetër Jon Ossoff është përpara kandidatit republikan David Perdue në garën tjetër ndërsa vazhdon numërimi i votave.

“Unë do të luftoj për ju, çdo ditë që do të jem në Senatin amerikan”, tha kandidati demokrat.

Warnock është një pastor i shquar afrikano-amerikan në kishën baptiste Ebenzer në Atlanta që dikur i përkiste doktor Martin Luther King Junior.

Në fjalimin e fitores ai tha se është i vetëdijshëm për rolin historik si afrikano-amerikani i parë i Xhorxhias që zgjidhet senator.

“Jam para jush sonte, duke e ditur mirë se udhëtimi i pabesueshëm që më solli fitoren në këtë moment historik në Amerikë mund të ndodhte vetëm këtu”, tha Warnock.

Por sfiduesja e tij republikane Kelly Loeffler, aleate e zjarrtë e presidentit Trump nuk e ka pranuar ende humbjen.

“Ne kemi një rrugë drejt fitores dhe do të qëndrojmë në garë”, tha zonja Loeffler.

Kandidati tjetër demokrat John Ossoff shpalli fitoren ndaj republikanit David Perdue megjithëse gara mbetet e ngushtë.

Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, atëherë nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të jetë në gjendje të hedhë votën përcaktuese të çdo legjislacioni që Presidenti i zgjedhur Joe Biden dëshiron të miratohet në dy vitet e tij të para në detyrë. Por disa votues në Xhorxhia thonë se me Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët, do të ishte më mirë të kishte një qeveri ku pushteti politik të mbetet i ndarë.

“Unë nuk besoj se nëse një parti kontrollon të gjithë Kongresin dhe presidencën, do të shohim që të gjithë ne të përfaqësohemi plotësisht”, thotë Lon Sperry votues në Xhorxhia.

Presidenti në largim bëri fushatë për të dy republikanët, duke kritikuar zyrtarët e zgjedhjeve në atë shtet dhe duke pretenduar pa prova se zgjedhjet e nëntorit u manipuluan. Disa republikanë janë të shqetësuar se pretendimet e presidentit mund të kenë dekurajuar mbështetësit e tij të votojnë.

SHBA, asnjë akuzë kundër oficerit që qëlloi afro-amerikanin Jacob Blake

Washington DC

Prokurori i Kontit Kenosha në SHBA, Michael Graveley, ka bërë të ditur se asnjë akuzë nuk do të ngrihet kundër oficerit policor që qëlloi afro-amerikanin Jacob Blake, duke e lënë atë të paralizuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Është vendimi im tani… Asnjë oficer i zbatimit të ligjit në Kenosha, në këtë rast nuk do të akuzohet për ndonjë vepër penale bazuar në faktet dhe ligjit”, u tha Graveley gazetarëve në një konferencë për media.

Ai po ashtu tha se edhe kundër afro-amerikanit Blake nuk do të ngrihet asnjë akuzë.

“Kjo ishte një tragjedi, së pari dhe më e rëndësishmja, për Jacob Blake-n, i cili ende vuan lëndime të rënda. Këto janë dëmtime të përjetshme nga të cilat ai vuan edhe sot”, tha përfaqësuesi ligjor i Kontit Kenosha.

Blake u qëllua në shpinë shtatë herë nga Rusten Shesky, një oficer i bardhë i policisë, gjatë një përpjekjeje për arrestim më 23 gusht në Kenosha, Wisconsin, duke e lënë atë të paralizuar pjesërisht.

Të hënën, Departmenti i Sherifit të Kontit Kenosha shpalli zyrtarisht gjendje të jashtëzakonshme para vendimit mbi këtë rast, duke paralajmëruar “trazira, plaçkitje, dëmtime të Kontit dhe pronë të qytetit, si dhe trazira civile”.

Të shtënat ndaj afro-amerikanit shkaktuan protesta në të gjithë vendin kundër dhunës policore dhe racizmit, vetëm disa muaj pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd nga policia.

Demokratët fitojnë njërën garë, kryesojnë edhe garën tjetër të balotazhit në Xhorxhia

VOA

Demokratët fituan njërën nga garat e balotazhit në Xhorxhia për dy vende në Senatin amerikan, ndërsa kryesojnë edhe për vendin e dytë, që do t’i siguronte përparësi presidentit të zgjedhur Joe Biden, kur të marrë detyrën më vonë gjatë këtij muaji.

Sipas medieve amerikane dhe grupit “Edison Research”, sfiduesi demokrat Raphael Warnock fitoi përballë republikanes Kelly Loeffler, ndërsa demokrati Jon Ossoff ka një epërsi të ngushtë kundruall republikanit David Perdue, ndonëse rezultati përfundimtar pritet më vonë të mërkurën.

Me 98 për qind të votave të numëruara, sipas grupit Edison Research, zoti Warnock kryeson kundrejt zonjës Loeffler me 1,2 përqin, afërsisht 50 mijë vota, ndërsa zoti Ossoff është në epërsi me rreth 4 mijë vota ndaj zotit Perdue.

Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese pasi ajo dhe zoti Biden të marrin detyrën më 20 janar. Demokratët kanë tashmë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të ndërlikonte miratimin e reformave legjislative të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke detyruar ndoshta negociata gjithëpërfshirëse për çështje të tilla si shkalla e përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të imigracionit dhe vendosja e rregulloreve për ndryshimet klimatike.

Shumica e votave që mbetën për t’u numëruar janë nga zonat ku Joe Biden fitoi në nëntor, me rreth 13 mijë vota që ende duhet të numërohen në Qarkun DeKalb afër Atlantës, duke nxitur optimizmin e demokratëve. Asnjë demokrat nuk ka fituar një garë për Senatin amerikan në Xhorxhia për 20 vjet.

“Na thanë që nuk mund t’i fitonim këto zgjedhje. Por sonte, ne vërtetuam se me shpresë, punë të palodhur dhe njerëzit përkrah nesh, gjithçka është e mundur,” tha zoti Warnock, një predikues Baptist, në një mesazh përpara se të projektohej si fitues.

“Unë do të shkoj në Senat për të punuar për të gjithë Xhorxhian, pa marrë parasysh për kë keni votuar në këto zgjedhje”, tha ai.

Zoti Warnock do të bëhet senatori i parë me ngjyrë nga Xhorxhia, ndërsa zoti Ossoff, 33 vjeç, do të ishte anëtari më i ri i Senatit nëse fiton.

Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë të martën, me radhë të gjata votuesish që prisnin para vendvotimeve, ndërsa gati 3.1 milion veta hodhën votat para ditës së zgjedhjeve. Pesë milionë vota u hodhën në Xhorxhia në zgjedhjet e nëntorit që përfshinin garën presidenciale.

Rreth 100 mijë veta që nuk votuan në nëntor në Xhorxhia, hodhën votën e tyre në garën e balotazhit për Senatin para ditës zyrtare të zgjedhjeve.

Në nëntor, zoti Biden u bë kandidati i parë demokrat që fitoi në Xhorxhia që nga viti 1992.

Presidenti ka pretenduar në mënyrë të përsëritur pa prova se zgjedhjet ishin “manipuluar” dhe të shtuan në një telefonatë ai i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të këtij shteti, Sekretarit të Shtetit Brad Raffensperger, një republikan, të gjente 11 mijë e 780 vota të tjera për të përmbysur rezultatin. Por zoti Raffensperger hodhi poshtë kërkesën e Trump-it dhe të hënën i tha kanalit ABC News se presidenti “thjesht e ka gabim” kur flet për parregullsi zgjedhore në Xhorxhia.

Presidenti i zgjedhur Biden dhe presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në Xhorxhia në një përpjekje të fundit për të bindur votuesit.

“Forca është në duart tuaja”, tha zoti Biden. “Si asnjëherë tjetër në karrierën time, një shtet mund të përcaktojë kursin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme.”

Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në atë shtet. “Tani, kemi nevojë që ju të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai.

Presidenti Trump bëri fushatë më vonë të hënën në një qark republikan në Dalton, në pjesën veriore të shtetit, duke u thënë mbështetësve se zgjedhjet mund të ishin “shansi i tyre i fundit për të shpëtuar Amerikën që duam”.

“E majta ekstreme dëshiron të shkatërrojë vendin tonë, të shkatërrojë historinë tonë dhe të fshijë gjithçka që ne duam”, tha presidenti Trump. “Kjo mund të jetë vota më e rëndësishme, që do të hidhni ndonjëherë në jetën tuaj.”

Mbështetësit e Trumpit u mblodhën në Washington për të protestuar ndaj zgjedhjeve

Washington DC

Mijëra mbështetës të Donald Trump, për të protestuar zyrtarizimin e zgjedhjeve në favor të Joe Biden në sesionin e Kongresit, janë mbledhur në kryeqytetin Washington, raporton Anadolu Agency (AA).

Grupi i protestuesve para demonstratës “Marsho për Trump” filluan të mblidhen në orët e natës.

Në kuadër të protestës tërhoqën vëmendjen masa të gjera sigurie, ndërsa mijëra persona në qendër të qytetit hapën pankarta mbështetëse ndaj Trumpit.

Gjithashtu edhe ish-këshilltari i Trump, Roger Stone arriti në vendin ku organizohet protesta duke iu drejtuar mbështetësve të Trumpit.

Nga ana tjetër, Trump, nëpërmjet Twitter njoftoi se do të mbajë një fjalim në parkun Ellipse pranë Shtëpisë së Bardhë.

Mediat amerikane: Demokratët kanë fituar njërin balotazh në Xhorxhia

Demokrati Raphael Warnock fitoi një balotazh të ashpër ndaj senatores amerikane, republikanes Kelly Loeffler, në shtetin e Xhorxhias, kanë raportuar mediat amerikane të mërkurën, por cila parti do të kontrollojë Senatin mbetet ende e paqartë pasi rezultatet e një balotazhi të dytë ende nuk dihen.

Rezultatet e dy zgjedhjeve të balotazhit në shtetin e Xhorxhias në SHBA për ulëse në Senat do të përcaktojnë ekuilibrin e fuqisë në Uashington.

Në balotazhin tjetër kanë garuar demokrati, Jon Ossoff dhe senatori republikan, David Perdue.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të mos dihen për disa ditë, pasi qarqet duhet të numërojnë një numër të madh fletëvotimesh përmes postës.

Balotazhet në Xhorxhia janë shumë të rëndësishme për kontrollin e Senatit amerikan.

Nëse demokratët fitojnë të dyja ulëset, Senati do të ndahet 50-50, dhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris, që gëzon të drejtën e votës mund t’i sigurojë demokratëve kontrollin e Senatit. Demokratët tashmë kanë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Sigurimi i një shumice në Senat do të rrisë shanset që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjendën e tij legjislative. Republikanët duhet të fitojnë vetëm një nga garat për të mbajtur pushtetin.

Këto zgjedhje në Xhorxhia kanë nxjerrë në pah ndasitë e ashpra politike dhe kanë mobilizuar të dyja palët, si në asnjë garë tjetër për ulëse në Senatit në vitet e fundit.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe ai aktual, Donald Trump, bënë fushatë në këtë shtet më 4 janar, duke shpresuar që të mblidhnin votuesit në qendrat e votimit nëse ata nuk kishin hedhur votat e tyre me postë ose në votime të hershme.

Biden ka thënë se banorët e Xhorxhias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.

Republikanët Kelly Loeffler dhe David Perdue aktualisht mbajnë dy vendet e Xhorxhias në Senat.

Republikanët aktualisht kanë 52 nga 100 vendet e Senatit. rel

Certifikimi i votave elektorale në Kongres, përballë besnikëve të presidentit

Patsy Widakuswara

Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të mblidhen të mërkurën në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Ky veprim rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues në këtë cikël zgjedhor, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump. Mbi 100 ligjvënës besnikë të presidentit pritet ta sfidojnë procesin e certifikimit. Ja çfarë pritet gjatë seancës.

Si Zhvillohet Zakonisht Seanca?

Në bazë të Amendamentit të 12-të, të dyja Dhomat e Kongresit mblidhen për të numëruar dhe certifikuar rezultatin e Kolegjit Elektoral bazuar në votat e 50 shteteve dhe të kryeqytetit, Uashington.

Përfaqësues republikanë e demokratë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve caktohen si “zëdhënës” të secilës Dhomë. Nënpresidenti Mike Pence, në kapacitetin e presidentit të Senatit, drejton seancën. Në mungesë të tij, senatori më me vjetërsi në partinë që ka shumicën, në këtë rast Senatori republikan Chuck Grassley nga Ajova, udhëheq seancën.

Ndihmës në Senat – nxënës nga shkolla të mesme nga të gjithë SHBA – sjellin kuti druri të mbushura me votat elektorale të certifikuara nga të 50 shtetet. Zyrtari që drejton seancën hap punimet dhe prezanton certifikatat e vulosura sipas radhës alfabetike. “Zëdhënësi” i secilës Dhomë lexon certifikatën me zë të lartë për të regjistruar zyrtarisht numrin e votave.

Procesi vazhdon deri kur të gjitha votat të jenë prezantuar dhe numëruar. Më pas, drejtuesi i ceremonisë njofton kush ka siguruar shumicën për president dhe nënpresident.

Si pritet të zhvillohet seanca këtë radhë?

Në një përpjekje të fundit për të mbajtur Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, më shumë se 100 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi 10 në Senat kanë thënë se do të kundërshtojnë numrimin e votave elektorale nga gjashtë shtete të lëkundura që i fitoi zoti Biden (Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini ) dhe do të kërkojnë ngritjen e një komisioni për një auditim të rezultateve zgjedhore.

Pjesa më e madhe e senatorëve që kanë në plan të kundërshtojnë përfaqësojnë shtete ku Presidenti Trump mbetet shumë popullor.

Kjo sfidë pritet të dështojë pasi demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të bashkuar në mbështetje të zotit Biden. Senati, megjithëse kontrollohet me një shumicë të vogël nga republikanët, nuk ka gjasa të votojë në favor të këtyre manovrave, pasi një numër senatorësh republikanë kanë thënë se janë kundër tentativave për të mos përfshirë votat elektorale të ndonjë shteti.

Sipas rregullores, çdo kundërshti mund të debatohet deri në dy orë; po ashtu duhet kohë që të numërohen votat në secilën Dhomë. Si rezultat, kjo ceremoni zakonisht e shkurtër, do të kthehet në një seancë të tejzgjatur.

Jason Grumet, president i Qendrës për Politika Dypartiake e quan këtë manovër të republikanëve “shumë shqetësuese”.

“Nuk është konservatore, nuk është partiake, nuk është patriotike,” tha zoti Grumet. “Kjo është një përpjekje egoiste nga disa politikanë ambiciozë që po sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, të cilat sipas shumë burimesh janë zhvillur shumë në rregull”.

Ekipi zgjedhor i presidentit dhe aleatët e tij kanë ngritur 61 padi për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në një numër shtetesh. Ata kanë humbur 60 prej padive, pasi nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimet për manipulime apo parregullsi.

Çfarë roli ka luajtur presidenti në këtë situatë?

Presidenti, i cili ka siguruar 232 vota elektorale krahasuar me 306 që fitoi zoti Biden, nuk e ka pranuar humbjen. Ai u ka bërë presion republikanëve në Kongres dhe zyrtarëve të përmbysin rezultatin, shpesh duke përdorur forcën e popullaritetit të tij në elektorat, duke kërcënuar republikanët se mund t’u dëmtojë shanset e rizgjedhjes në të ardhmen.

Presioni i presidentit dëgjohet qartë në telefonatën e së shtunës ku i kërkon republikanit Brad Raffensperger, sekretar i shtetit në Xhorxhia të “gjej” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.

Në një konferencë për shtyp të hënën, Gabriel Sterling, menaxher i aplikimit të procesit zgjedhor në Xhorxhia, tha se sekretari i shtetit e publikoi regjistrimin e bisedës “i nxitur nga synimi për të qenë sa më i kujdesshëm” duke pasur parasysh klimën politike dhe veprimet e presidentit në të kaluarën.

“Nganjëherë ai (Presidenti Trump) nuk i interpreton gjërat ashtu siç ndodhën,” tha zoti Sterling.

Zoti Trump, i cili i quan republikanët që refuzojnë ta mbështesin atë “Grupi i të Dorëzuarve”, gjithashtu i bëri thirrje zotit Pence të ndërmarrë veprime për të përmbysur zgjedhjet, pavarësisht se kushtetuta amerikane e përcakton rolin e Nënpresidentit në numërimin e votave elektorale të shteteve kryesisht si ceremonial.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1346488314157797389))

“Shpresoj që nënpresideti ynë i madh do të na mbështesë. Ai është një burrë i shkëlqyeshëm”, tha Trump në një tubim në Xhorxhia të hënën në mbrëmje. “Sigurisht, nëse ai nuk na mbështet, kjo nuk do të më pëlqente shumë.”

Presioni nga Presidenti e ka vendosur në një pozitë të vështirë Nënpresidentin Pence, i cili deri më tani ka demonstruar besnikëri të palëkundur ndaj zotit Trump.

David C. Barker, drejtori i Qendrës për Studime mbi Kongresin dhe Presidencën në Universitetin Amerikan, tha se nëse zotin Pence dëshiron të jetë një kandidat me peshë për president në 2024, ai mund të duhet të bashkohet me korin e ligjvënësve republikanë që vazhdojnë të mbështesin Presidentin Trump.

“Ai mund të arrijë në përfundimin se për të ka më rëndësi ndërgjegja sesa karrierën e tij”, tha zoti Barker. “Do ta shohim”, shtoi ai.

Presidenti gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington të mërkurën, duke bërë që kryetarja e bashkisë së qytetit t’u bëjë thirrje banorëve që “të mos të përballen me protestuesit që vijnë në qytetin tonë duke kërkuar konfrontim”.

Të martën në mbrëmje, Trump tha se ai planifikon të mbajë një fjalim para protestuesve jashtë Shtëpisë së Bardhë të mërkurën.

A ka ndodhur kjo më parë?

Demokratët filluan kundërshtime në shkallë të vogël dhe jetëshkurtër ndaj numërimit të votave elektorale në 2001, 2005 dhe 2017.

Në vitin 2001, dhjetra anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve u përpoqën të kundërshtonin votat elektorale të Floridës, shteti ku Nënpresidenti Al Gore humbi garën ndaj republikanit George W. Bush me një diferencë të vogël, pas një beteje të rinumërimit të votave që u vendos nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara. Në cilësinë e tij si president i Senatit, Gore hodhi poshtë kundërshtimet dhe e shpalli zotin Bush fitues të zgjedhjeve.

Në 2005, senatorja demokrate nga Kalifornia, Barbara Boxer së bashku me ligjvënësen demokrate nga Ohajo, Stephanie Tubbs Jones kundërshtuan votat elektorale të shtetit të Ohajos. Kjo përpjekje dështoi me një diferencë të madhe në të dyja dhomat e kongresit dhe nuk u mbështet madje as nga kandidati demokrat për president, John Kerry.

Disa demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve kundërshtuan votat për zotin Trump në disa shtete në vitin 2017, por u kundërshtuan nga Nënpresidenti i atëhershëm Joe Biden.

Kundërshtimi nuk ka gjasa të ketë sukses, por çfarë ndodh nëse ka sukses?

Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë që sfida të rezultojë në heqjen e disa prej votave elektorale të zotit Biden, duke i ulur ato nën pragun prej 270 votash elektorale të nevojshëm për të fituar presidencën.

Sipas amandamentit të 12-të të Kushtetutës, nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën absolute të votave elektorale, Dhoma e Përfaqësuesve kërkohet që të filloi një seancë menjëherë për të zgjedhur presidentin.

“Nuk ka absolutisht asnjë shans që kjo përpjekje, e cila në thelb është teatër politik, të parandalojë Joe Biden-in të bëhet president i Shteteve të Bashkuara”, thotë zoti Grumet nga Qendra e Politikave Dypartiake.

Por zoti Grumet tha se kjo përpjekje është e dëmshme për demokracinë amerikane.

“Precedentët e vegjël të këqij shpesh bëhen precedentë të mëdhenj të këqij”, tha zoti Grumet. “Shpresojë se ne nuk kemi krijuar një traditë qënë thelb ia mundëson palës humbëse të vërë në dyshim legjitimitetin e dhjetëra miliona votuesve amerikanë.”

Kundërshtimi ka thelluar gjithashtu përçarjen midis republikanëve tradicionalë dhe atyre populistë që po përpiqen të marrin drejtimin e partisë.

“6 janari do të jetë hapi i parë në një përpjekje afatgjatë për të përcaktuar shpirtin e Partisë Republikane”, thotë anketuesi republikan Whit Ayers.

Ajo që pason do të varet nga ajo që bën Presidenti Trump pasi të largohet nga detyra, tha zoti Ayers. “Sa aktiv do të mbetet dhe sa ndikim politik do të ketë në kohën kur nuk do të ketë fuqinë e presidencës në dispozicion të tij”, shtoi ai.

Kur do të përfundojë kjo sfidë?

Pavarësisht votimit të certifikimit që mund të zvarritet për ditë me radhë dhe disa sfidave ligjore të presidentit ende në pritje të vendimeve nga gjykata, më 20 janar, Shtëpia e Bardhë me siguri thuajse të plotë do të ketë një banor të ri pasi zoti Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Xhorxhia, zyrtarët zgjedhorë përgënjeshtrojnë postimin e presidentit

Marrë nga Reuters

Zyrtarët zgjedhorë në Xhorxhia që po ndjekin balotazhin për dy vendet e këtij shteti në Senat, iu kundërpërgjigjën një postimi të Presidentit Trump në Twitter ku ai ngrinte shqetësime për probleme me makinat e votimit. Zyrtarët reaguan duke thënë se megjithë problemet e hershme në një komunë, zgjedhjet po ecin në rregull.

Të martën pasdite Presidenti Trump shkruante në Twitter se “kemi marrë njoftime nga distrikti i 12-të elektoral se makinat e kompanisë Dominion nuk po punojnë mirë prej një ore në disa zona që votojnë për republikanët. Fletëvotimet janë lënë në kuti, shpresojmë se do të numërohen”. Komenti u përhap 45,000 herë nga përdorues të Twitterit.

Zyra e Sekretarit të shtetit në Xhorxhia, Brad Raffensperger u përgjigj me një deklaratë se megjithëse u raportuan disa probleme, ato nuk penguan votimet dhe problemet ishin zgjidhur para orës 10.

“Votimet nuk u ndalën në asnjë moment. Zgjedhësit vazhduan të hedhin votat në përputhje me procedurat që përcakton ligji në Xhorxhia në rrethana të tilla,” thoshte njoftimi.

Gabriel Sterling, menaxher për sistemet e votimit në Xhorxhia, tha përmes Twitterit se një defekt në sistem ishte ndrequr shumë shpejt, duke shtuar “Më vjen keq, zoti President, por ke marrë informata të vonuara”.

Në median sociale janë përhapur pretendime që lidhin kompaninë Dominion me akuza për manipulim në zgjedhjet e 3 nëntorit ku Presidenti Trump humbi përballë demokratit Joe Biden.

Agjencia e lajmeve Reuters dhe grupe të tjera mediatike kanë ofruar prova që hedhin poshtë këto pretendime, të cilat nuk janë shoqëruar me dëshmi të mirëfillta. Makinat e kompanisë Dominion u përdorën në 24 nga 50 shtetet amerikane në zgjedhjet e nëntorit, ndër to edhe në shtete ku Presidenti Trump fitoi.

Një zëdhënëse e kompanisë Dominion tha të martën se kompania do të paraqiste pa vonesë padi kundër juristes Sidney Powell lidhur me pretendimet për probleme të makinave zgjedhore. Ajo shtoi se kompania po mban të gjitha opsionet të hapura për padi të tjera.

Pretendimet e presidentit se humbja e tij në nëntor ishte rezultat i manipulimit të zgjedhjeve është hedhur poshtë nga zyrtarë shtetërorë e federalë si dhe nga një numër gjykatash.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Trump e kanë cilësuar këtë cikël votimesh si “më të sigurtin në historinë amerikane”. VOA

Uashingtoni paralajmëron protestuesit të mos sjellin armë dhe të mos provokojnë dhunë

Marrë nga Reuters

Zyrtarët e qytetit në Uashington i paralajmëruan të hënën mbështetësit e Presidentit Donald Trump që të mos sjellin armë në protestat e kësaj jave kundër çertifikimit nga Kongresi të humbjes së tij, ndërsa janë thirrur për ndihmë edhe trupat e Gardës Kombëtare për të ruajtur rendin.

“Kemi marrë disa informacione se ka individë që synojnë të sjellin armë në qytetin tonë dhe kjo nuk do të tolerohet,” tha për median Shefi i Policisë Metropolitane Robert Contee, ndërsa shtoi se ata që do të bënin një gjë të tillë, ose që të provokonin dhunë, do të arrestohen.

Më shumë se 300 trupa do të mbështesin qeverinë e qytetit, duke siguruar kontrollin e turmës dhe ndihmuar shërbimet e shpëtimit dhe zjarrfikësve, thuhet në një deklaratë të Gardës Kombëtare të Uashingtonit. Në përpjekje do të marrin pjesë edhe forcat e rendit nga disa agjenci federale dhe shtetërore, tha zoti Contee.

Kryeqyteti amerikan ka disa nga ligjet më të rrepta për armët dhe ndalon mbajtjen hapur të armëve ose mbajtjen pa leje të pistoletës.

Mijëra mbështetës të zotit Trump, përfshi disa nacionalistë të ekstremit të djathtë, që kanë mbajtur hapur armët në protesta në vende të tjera, pritet të bashkohen në kryeqytetin amerikan duke filluar nga e marta për të kundërshtuar çertifikimin nga Kongresi të mërkurën të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga demokrati Joe Biden.

Zoti Contee tha se protestat mund të jenë më të mëdha se ato të nëntorit dhe dhjetorit, gjatë të cilave pati përleshje me thika dhe përplasje të tjera, ndërsa qindra pjestarë të grupit “Proud Boys” që e cilësojnë veten “shovinistë perëndimorë” dhe besnikë të tjerë të zotit Trump, u përleshën me kundër-protestuesit dhe kërkoni të përlesheshin me aktivistë të “antifës”(anti-fashistët) dhe aktivistë të lëvizjes “Black Lives Matter”.

Të hënën, policia metropolitane arrestoi udhëheqësin e grupit “Proud Boys”, Henry “Enrique” Tarrio dhe ngriti akuza ndaj tij për shkatërrim prone në lidhje me një protestë të mëparshme. Tarrio kishte në zotërim dy karrikatore me kapacitet të lartë në kohën e arrestimit, tha policia ndërsa ngirit akuza edhe për këtë rast.

TRUMP DO TË FLASË NË TUBIM

Presidenti Trump u bëri thirrje mbështetësve të tij që të marrin pjesë në tubimet e kësaj jave, duke shkruar në Twitter të dielën se, “Do të jem aty” dhe të premten shkroi “Do të jetë e madhe”. Disa tubime janë planifikuar për të mërkurën, përfshi një pranë Kongresit amerikan.

Shtëpia e Bardhë nuk ka ofruar ndonjë agjendë zyrtare, por një individ i informuar mbi planet tha se Presidenti Trump do të flasë para mbështetësve me 6 janar në parkun që ndodhet pranë Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti pretendon në mënyrë të gabuar se zoti Biden i fitoi zgjedhjet përmes manipulimit masiv të votave, edhe pse dhjetëra vendime gjykatash federale dhe shtetërore, zyrtarë shtetërorë të zgjedhjeve nga të dy partitë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk kanë gjetur ndonjë mashtrim të madh.

Në bazë të kushtetutës Kongresi duhet të çertifikojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, në atë që normalisht do të ishte një formalitet i mbikëqyrur nga Zëvendës Presidenti Mike Pence.

Por të paktën 12 senatorë republikanë dhe rreth 140 ligjvënës republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve janë zotuar të votojnë kundër çertifikimit të fitores së zotit Biden, duke cituar pretendimet e Presidentit Trump për mashtrime zgjedhore.

Përpjekja e tyre nuk do të ndryshojë rezultatin, tha në një konferencë shtypi Kryebashkiakja demokrate e Uashingtonit Muriel Bowser.

“Kushtetuta jonë do të qëndrojë. Joe Biden dhe Kamala Harris do të jenë presidenti dhe nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara kur të inaugurohen me 20 janar”. Zonja Bowser u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit, ku dritaret e zyrave, restoranteve dhe hoteleve janë ende të mbuluara me dërrasa që nga protestat e verës kundër dhunës racore.

Para arrestimit të tij, Tarrio i grupit “Proud Boys” tha në median sociale se një numër rekod anëtarësh do të marrin pjesë, duke sugjeruar se ata mund të vishen me të zeza sikurse aktivistët e antifës. “Ne do të jemi të panjohur dhe do të shpërndahemi në qendër të Uashingtonit në grupe të vogla,” tha ai.

Hoteli Harrington dhe restoranti Harrys përkarshi, të frekuentura nga pjestarë të grupit “Proud Boys” gjatë protestave të mëparshme, do të mbyllen të martën dhe të mërkurën. “Ndërsa ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë ndodh jashtë hotelit, ne po ndërmarrim hapa shtesë për të mbrojtur sigurinë e vizitorëve, mysafirëve dhe punonjësve tanë,” thuhet në faqen e hotelit në internet. VOA

Xhorxhia voton në zgjedhjet e balotazhit që do të përcaktojnë kontrollin në Senat

Ken Bredemeier

UASHINGTON – Sot në Xhorxhia po zhvillohen garat e balotazhit për dy vende në Senatin amerikan, që do të përcaktojnë nëse republikanët, apo demokratët do të jenë në kontroll.

Senatori republikan David Perdue po përballet me demokratin Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televizivë, ndërsa senatorja republikane Kelly Loeffler, një nga ligjvënëset më të pasura në vend, është në garë kundër kandidatit demokrat, pastorit Raphael Warnock.

Sondazhet përpara ditës së zgjedhjeve tregojnë se dy demokratët kanë avantazhe të ngushta në garë. Të dy balotazhet u bënë të nevojshme pasi asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e duhur në raundin e parë të zgjedhjeve në nëntor.

Pjesëmarrja në votime pritet të jetë jashtëzakonisht e lartë, me më shumë se 3 milionë vota të hedhura në votimet e hershme. Pesë milionë vota u hodhën në Xhorxhia në zgjedhjet e nëntorit, por rreth 100,000 njerëz që nuk votuan atëherë e kanë hedhur votën e tyre tashmë në balotazh. Senatit.

Kur do të numërohen votat?

Asnjë nga fletët e hedhura gjatë votimit të hershëm nuk do të numërohet deri të martën dhe fituesit zyrtarë, ka të ngjarë të mos mësohen natën e zgjedhjeve.

Zyrtarët thonë se votimi i hershëm ishte veçanërisht i lartë në zonat ku Presidenti i zgjedhur demokrat Joe Biden fitoi në nëntor, por republikanët thonë se presin të kenë më shumë vota të hedhura fizikisht të martën.

Ky ishte skenari në nëntor në Xhorxhia dhe në të gjithë vendin, kur shumë më shumë demokratë votuan herët, ndërsa më shumë republikanë votuan fizikisht në ditën e zgjedhjeve. Për shkak se votat e hershme marrin më shumë kohë për t’u numëruar, Presidenti Donald Trump u duk se ishte përpara në Xhorxhia natën e zgjedhjeve, por përfundimisht humbi në këtë shtet.

Kush e kontrollon Senatin Amerikan tani?

Republikanët aktualisht kanë një avantazh 50-48 në Senat. Një fitore e republikanëve në një, ose të dyja garat në zgjedhjet e së martës, do t’i jepte partisë një shumicë të qartë dhe të drejtën për të vendosur axhendën e Senatit dhe për të mbajtur shumicën në të gjitha komisionet legjislative të Senatit.

Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënresidentes së zgjedhur Kamala Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese në rast të një votimi të barabartë, në favor të demokratëve për organizimin e komisioneve dhe kontrollin e kalendarit legjislativ.

Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të komplikonte miratimin e reformave legjislative të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke detyruar ndoshta negociata gjithpërfshirëse për çështje të tilla si shkalla e përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të imigracionit dhe vendosja e rregulloreve për ndryshimet klimatike.

Tubimet e së hënës

Si Presidenti i zgjedhur Bidene dhe Presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në Xhorxhia në një përpjekje të fundit për të bindur votuesit.

“Forca është në duart tuaja”, tha zoti Biden. “Si asnjëherë tjetër në karrierën time, një shtet mund të përcaktojë kursin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme.”

Democratic candidates for Senate Jon Ossoff (L), Raphael Warnock (R) and US President-elect Joe Biden (C) wave from stage during a rally outside Center Parc Stadium in Atlanta, Georgia, on January 4, 2021. - President Donald Trump, still seeking ways to r

Democratic candidates for Senate Jon Ossoff (L), Raphael Warnock (R) and US President-elect Joe Biden (C) wave from stage during a rally outside Center Parc Stadium in Atlanta, Georgia, on January 4, 2021. – President Donald Trump, still seeking ways to r

Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në atë shtet. “Tani, kemi nevojë që ju të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai.

Trump bëri fushatë më vonë të hënën në një qark republikan në Dalton, në pjesën veriore të shtetit, duke u thënë mbështetësve se zgjedhjet mund të ishin “shansi i tyre i fundit për të shpëtuar Amerikën që duam”.

“E majta ekstreme dëshiron të shkatërrojë vendin tonë, të shkatërrojë historinë tonë dhe të fshijë gjithçka që ne duam”, tha presidenti Trump. “Kjo mund të jetë vota më e rëndësishme, që do të hidhni ndonjëherë në jetën tuaj.”

President Donald Trump arrives to speak at a campaign rally for Sen. Kelly Loeffler, R-Ga., and David Perdue at Dalton Regional Airport, Jan. 4, 2021, in Dalton, Ga.

President Donald Trump arrives to speak at a campaign rally for Sen. Kelly Loeffler, R-Ga., and David Perdue at Dalton Regional Airport, Jan. 4, 2021, in Dalton, Ga.

Ai gjithashtu vazhdoi kritikat e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në Xhorxhia, që refuzuan të përmbysnin humbjen e tij të ngushtë ndaj Bidenit në shtet, duke pretenduar në mënyrë të rreme se ai fitoi dhe se vota ishte “e manipuluar”.

Zyrtarët e Xhorxhias hedhin poshtë pretendimet e Trumpit për mashtrime

Numërimi fillestar i votave në zgjedhjet presidenciale të nëntorit dhe dy rinumërime më pas, treguan se zoti Biden fitoi.

Në një telefonatë të shtunën, Trump i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të këtij shteti, Sekretarit të Shtetit Brad Raffensperger, një republikan, të gjente 11,780 vota të tjera për të përmbysur rezultatin.

Por zoti Raffensperger hodhi poshtë kërkesën e Trump-it dhe të hënën i tha kanalit ABC News se presidenti “thjesht e ka gabim” kur flet për parregullsi zgjedhore në Xhorxhia.

Kryebashkiakja e Uashingtonit aktivizon Gardën Kombëtare për protestën e mbështetur nga Trumpi

Marrë nga Associated Press

Kryebashkiakja e kryeqyetit amerikan Uashington, bëri thirrje për qetësi të hënën ndërsa rreth 340 trupa të Gardës Kombëtare po aktivizoheshin në prag të përgatitjes së qytetit për protesta që mund të kthehen të dhunshme, ndërsa Kongresi pritet të votojë për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane, Kryetarja e Bashkisë Muriel Bowser bëri kërkesën ditën e Vitit të Ri që trupat e Gardës Kombëtare të vendosen në rrugët e Uashingtonit nga 5 janari deri me 7 janar, për të ndihmuar qytetin me protestat. Zyrtari tha se anëtarët e Gardës Kombëtare të Uashingtonit do të përdoren për kontrollin e trafikut, por nuk do të jenë të armatosur apo me mburoja ushtarake.

Kongresi po mblidhet këtë javë për të çertifikuar rezultatet e Kolegjit Elektoral ndërsa Presidenti Donald Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe ka mbështetur protestat.

Gjatë një konference shtypi të hënën, zonja Browser u bëri thirrje njerëzve që të qendrojnë larg kryeqytetit amerikan dhe të mënjanojnë konfrontimet me këdo që “kërkon ngatërresa”. “Ne nuk do të lejojmë njerëzit që të nxisin dhunë, të frikësojnë banorët tanë apo të shkaktojnë shkatërrime në qytetin tonë.”

Qyteti do të ketë nëpër rrugë 115 trupa të gardës, tha zyrtari i mbrojtjes, i cili dha detaje në kushte anonime. Zyrtari tha se pjesëtarët e Gardës do të përdoren për të ngritur pika kontrolli përreth qytetit dhe do të bashkëpunojnë me policinë e qytetit në të gjitha stacionet e metrosë. Shefi i policisë në detyrë Robert Contee tha se trupat e gardës do të përdoren për të menaxhuar turmat.

“Të dhënat tona të zbulimit sugjerojnë se do të ketë rritje të numrit të pjesmarrësve në protestë,” tha zoti Contee. “Ka njerëz që synojnë të vijnë në qytetin tonë të armatosur.”

Meqenëse kryeqyteti amerikan nuk ka guvernator, komandanti i Gardës Kombëtare të qytetit është Sekretari i Ushtrisë Ryan McCarthy. Çdo kërkesë e Uashingtonit për dislokimin e gardës duhet të marrë miratimin e tij.

Zyrtari i mbrojtjes tha se nuk do të ketë trupa ushtarake në qytet dhe se ushtria amerikane nuk do të ofrojë mjete ajrore apo të dhëna të zbulimit. Garda e Uashingtonit do të ofrojë ekipe të specializuara që do të jenë të përgatitura të reagojnë ndaj incidenteve të mundshme kimike apo biologjike. Zyrtari tha gjithashtu se garda nuk do të ketë pjestarë të saj në parkun kombëtar të Uashingtonit apo në zonën përreth Kongresit amerikan. VOA

SHBA, numri i përgjithshëm i rasteve me COVID-19 shkon në pothuajse 21 milionë

Washington

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) në SHBA është rritur në 358.704, prej të cilëve 2.254 kanë humbur jetën në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

SHBA vazhdon të mbetet vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave.

Të dhënat nga faqja e internetit “Worldometer” tregojnë se në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është rritur për 287.062, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 20.906.094.

Ndërkaq, në mbarë vendin, deri më tani janë shëruar mbi 12.360.000 të infektuar, ndërsa numri i testeve ka shkuar në mbi 256,7 milionë.

Aktualisht, shteti i Kalifornisë është më i godituri në SHBA, me pothuajse 2,4 milionë raste të konfirmuara, ndërkohë që numri më i lartë i vdekjeve është regjistruar në New York, me gjithsej 38.244 viktima.

Pas SHBA-së, numrin më të madh të të infektuarve e kanë regjistruar India me mbi 10,32 milionë raste dhe Brazili me mbi 7,7 milionë.

Trump paralajmërohet kundër përfshirjes së ushtrisë në transferimin e pushtetit

Shtëpia e Bardhë në Uashington

 

Dhjetë ish-sekretarë amerikanë të Mbrojtjes kërkuan nga Pentagoni që të angazhohet në një tranzicion paqësor të pushtetit në SHBA dhe paralajmëruan për rreziqet e përfshirjes së ushtrisë amerikane në tranzicion.

Ish-shefat e Pentagonit, përfshirë dy të emëruar nga presidenti në largim, Donald Trump, i bënë komentet në një artikull të botuar në gazetën Washington Post.

Zgjedhjet në SHBA dhe transferimi paqësor i pushtetit “janë shenja dalluese të demokracisë sonë”, thanë ata dhe i bënë thirrje shefit aktual të Pentagonit, Christopher Miller, që të përmbahet nga luajtja e ndonjë roli në përpjekjet e Trumpit për të mbetur president.

“Përpjekjet për të përfshirë forcat e armatosura të SHBA-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, do të na çonin në një territor të rrezikshëm, të paligjshëm dhe antikushtetues”, shkruan ata, duke shtuar se zyrtarët që kanë kërkuar ta bëjnë këtë, mund të përballen me pasoja të rënda profesionale dhe kriminale.

Shkrimi iu atribuohet dhjetë ish-sekretarëve amerikanë të Mbrojtjes: Ashton Carter, Leon Panetta, William Perry, Dick Cheney, Donald Rumsfeld, William Cohen, Robert Gates, Chuck Hagel, James Mattis dhe Mark Esper. Mattis dhe Esper janë emëruar nga Trump.

Ata thanë se tranzicionet e pushtetit shpesh mund të jenë një moment kur kombi është i cenueshëm ndaj “veprimeve të kundërshtarëve, që përpiqen të përfitojnë” nga pasiguritë në lidhje me sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Duke i pasur parasysh këta faktorë, sidomos në kohën kur forcat amerikane janë të angazhuara në operacione aktive në të gjithë botën, është më se e domosdoshme që tranzicioni në Departamentin e Mbrojtjes të kryhet plotësisht, në mënyrë bashkëpunuese dhe transparente”, thanë ish-sekretarët.

Ata shtuan se koha për të vënë në dyshim rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit ka kaluar dhe kujtuan se së shpejti do të bëhet numërimi zyrtar i votave të Kolegjit Zgjedhor nga Kongresi i ri.

“Zgjedhjet janë zhvilluar. Numërimet dhe auditimet janë kryer. Sfidat e duhura janë adresuar nga gjykatat. Guvernatorët kanë vërtetuar rezultatet. Dhe, Kolegji Zgjedhor ka votuar”, thanë ish-shefat e Pentagonit.

Sipas sistemit amerikan, votuesit në fakt votojnë për “zgjedhësit”, të cilët pastaj votojnë për të ratifikuar rezultatin. Kolegji Zgjedhor e ka ratifikuar fitoren e demokratit Joe Biden më 14 dhjetor.

Kongresi pritet t’i verifikojë votat e Kolegjit Zgjedhor më 6 janar. Procedura normalisht është formale, por ajo ka rëndësi të shtuar këtë vit, pasi disa kongresistë republikanë – aleatë më Trumpin – kanë thënë se do ta sfidojnë numërimin e votave, në përpjekje për të zhbërë fitoren e Bidenit.

Duke i cituar akuzat e pabaza të Trumpit për mashtrime në zgjedhje, republikanët kanë thënë se do të kërkojnë krijimin e një komisioni të posaçëm për të bërë “një kontroll të jashtëzakonshëm 10-ditor” të rezultateve të zgjedhjeve në disa shtete. Plani, megjithatë, pritet të dështojë.

Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe është fiksuar në rezultatet e zgjedhjeve në disa shtete, përfshirë Xhorxhian, ku ka humbur me rreth 12,000 vota përballë Bidenit.

Në fundjavë, gazeta Washington Post ka publikuar audio-incizime të një bisede telefonike, që supozohet se Trump ka zhvilluar me zyrtarin e lartë të zgjedhjeve në Xhorxhia. Trump mund të dëgjohet duke thënë se dëshiron të “gjejë” vota të mjaftueshme, që do t’ia siguronin fitoren në Xhorxhia.

Trump ka vazhduar të bëjë pretendime për mashtrime në zgjedhje, edhe pse gjykatat i kanë hedhur poshtë gati të gjitha rastet ligjore, të paraqitura nga ekipi dhe aleatët e tij.

Përgatiti: Valona Tela

Nancy Pelosi rizgjidhet kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve

VOA

Nancy Pelosi u zgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të dielën në mandatin e saj të katërt, me një shumicë më të ngushtë të demokratëve dhe me shumë sfida para vetes.

“Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, është nderi im i madh të kryesoj këtë ritual të shenjtë të rizgjedhjes, ndërsa mblidhemi nën kupolën e këtij tempulli të demokracisë…”, tha zonja Pelosi pas votimit.

Demokratja nga Kalifornia, e cila ka udhëhequr partinë e saj në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 2003 dhe është gruaja e vetme kryetare, mori 216 vota.

Demokratët humbën 11 vende në zgjedhjet e nëntorit dhe aktualisht gëzojnë kontrollin e kësaj dhome me shumicë më të ngushtë 222 me 212.

Para betimit të zonjës Pelosi, përfaqësuesi Don Young, një republikan nga Alaska, bëri thirrje për unitet.

“Sinqerisht, , nuk më pëlqen ajo që shoh. Është koha t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit dhe të flasim me njëri-tjetrin”, tha ai ndërsa u prit me duartrokitje.

“Ju do të jeni kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve – jo e partisë,” shtoi ai, duke iu drejtuar zonjës Pelosi.

Zonja Pelosi mirëpriti seancën e re të Kongresit, duke theksuar rëndësinë e rolit të ligjvënësve ndërsa vendi lufton pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar prej saj. Ajo tha se ligjvënësit po marrin përsipër përgjegjësi shumë kërkuese.

“Secili prej komuniteteve tona është prekur në mënyrë drastike nga kriza e pandemisë dhe kriza ekonomike: 350 mijë vdekje tragjike, secila prej tyre një trishtim që ne mbajmë në zemrat tona; mbi 20 milionë infeksione; miliona pa punë…”, tha ajo.

Zonja Pelosi gjithashtu u bëri nderime në fjalën e saj ligjvënësve Elijah Cummings dhe John Lewis, dy përfaqësues me vite të gjata shërbimi, të cilët vdiqën më 2019 dhe 2020, dhe Ruth Bader Ginsburgut, gjykatëse e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila gjithashtu vdiq në vitin 2020.

Para se të fliste në Dhomën e Përfaqësuesve, pas zgjedhjes së zonjës Pelosi, udhëheqësi i pakicës, Kevin McCarthy, shkroi në twitter, se “Kongresi i fundit ishte një dështim. Në fakt, ai ishte Kongresi më pak produktiv në gati 50 vjet. Populli amerikan meriton më mirë”.

“Unë do të doja të mund të thosha se shumica në Kongres është e përkushtuar për ndryshime në të mirën e përbashkët dhe për t’u përqendruar në atë që ka vërtet rëndësi, por unë jam i shqetësuar se veprimet e hershme po flasin për drejtim të gabuar”, tha ai në fjalimin e tij. Zoti McCarthy mori 209 vota në garën për kryetarin e Dhomës kundrejt zonjës Pelosi me 216.

Për herë të parë që nga muaji maj, ligjvënësit duhej të ishin të pranishëm për votim në Kongres, në vend të votimit nga distanca që ishte vendosur për shkak të pandemisë. Votimi zgjati disa orë ndërsa ligjvënësit u sollën në sallë në grupe të vogla për të shmangur mbledhjen e më shumë vetave në një vend.

Kongresi i ri përballet me shumë sfida, mes tyre pandeminë që deri më tani u ka kushtuar me jetë më shumë se 350 mijë amerikanëve dhe me ripërtëritjen e ekonomisë amerikane.

Zonja Pelosi, 80 vjeçare, la të kuptohet se pas kësaj periudhe dyvjeçare nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryetare e Dhomës, në përputhje me një marrëveshje të bërë me demokratët në vitin 2018 të cilët dëshironin që ajo të largohej si kryetare që atëherë.

Presidenti Trump presion zyrtarit të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve

VOA

Presidenti Donald Trump i bëri presion një zyrtari të lartë të zgjedhjeve të shtetit të Xhorxhias për të “gjetur” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet, ku ai ka humbur. Kjo është një nga përpjekjet më të fundit të zotit Trump në kuadër të pretendimeve të tij mbi manipulimin e zgjedhjeve, sipas njoftimit të gazetës “Washington Post”, e cila ka arritur të sigurojë një regjistrim audio të një bisede telefonike të zhvilluar ditën e shtunë.

Gazeta “Washington Post”, e cila të dielën publikoi fragmente të telefonatës, që zgjati një orë mes zotit Trump dhe sekretarit të Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, gjithashtu republikan, tha se zoti Trump paralelisht e mburrte, i lutej dhe e kërcënonte zotin Raffensperger me pasoja të paqarta penale, në një përpjekje për të zhbërë humbjen e tij në këtë shtet ndaj presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Gazeta tha se gjatë gjithë telefonatës zoti Raffensperger dhe këshilltari juridik i zyrës së tij, i kishin hodhur poshtë pohimet e zotit Trump. Zoti Raffensperger i tha presidentit se ai po mbështeste teori konspirative të hedhura tashmë poshtë, ndaj atyre që ai i cilësoi si zgjedhje të lira e të drejta. Pjesë nga telefonata e regjistruar të botuara nga gazeta e konfirmonin një gjë të tillë.

“Njerëzit e Xhorxhias janë të zemëruar, amerikanët janë të zemëruar”, tha zoti Trump, sipas një fragmenti të shkëputur nga regjistrimi i telefonatës, botuar në internet nga gazeta The Washington Post. “Dhe nuk ka asgjë të keqe të thuash, e di çfarë….. i rillogaritëm rezultatet“.

Pra ajo që dua të bëj, është thjesht të gjej 11,780 vota, që është një më shumë se sa kemi. Sepse ne e fituam shtetin“, shprehej zoti Trump gjatë telefonatës së regjistruar, duke këmbëngulur se nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte humbur garën në këtë shtet.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje. Zyra e zotit Raffensperger nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për komente. Po kështu edhe zyra e tranzicionit e zotit Biden nuk ka bërë deri tani asnjë koment mbi këtë çështje.

Xhorxhia është një nga disa shtetet kyçe, në të cilin zoti Trump humbi gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj zotit Biden. Por që prej asaj kohe zoti Trump ka bërë akuza të pabazuara për manipulim me zgjedhjet dhe ka kërkuar të përmbysë rezultatin.

SHBA, arrin në mbi 350 mijë numri i vdekjeve nga COVID-i

VOA

Të dielën në Shtetet e Bashkuara u shënuan të dhëna shqetësuese lidhur me pandeminë e koronavirusit, ndërsa numri i vdekjeve tejkaloi 350 mijë rastet. Nju Jorku iu bashkua Kalifornisë, Teksasit dhe Floridës me më shumë se një milion raste të regjistruara. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Illinois.

Pandemia e koronavirusit vazhdon të sfidojë Shtetet e Bashkuara edhe në ditët e para të vitit të ri.

Sistemi shëndetësor i Kalifornisë është i mbingarkuar. Ambulancat presin me orë për të dorëzuar pacientë të rinj.

Qarku i Los Anxhelosit është pa diskutim epiqendra e pandemisë në ShBA.

Drejtoresha e Departamentit të Shëndetit Publik në këtë qark ka një kërkesë për banorët.

Nuk po u kërkojmë njerëzve që të mos takojnë familjarët për gjithë jetën. Po u kërkojmë të mos takohen gjatë javëve të ardhshme ndërsa shpërndajmë vaksinën”, thotë Dr. Barbara Ferrer, Drejtore e Departamentit të Shëndetit Publik në Los Anxhelos.

Zyrtarët në Karolinën e Veriut po ndërtojnë spitale të inprovizuara për të rritur kapacitetet. Në Masaçusets, që nga dita e falenderimeve, numri i pacientëve të shtruar në spital është rritur me 60 për qind .

Gjatë tre ditëve të fundit, kemi tejkaluar numrin e pacientëve që kishim në spital në pranverë“, thotë Dr. Eric Dickson.

Katër shtete ende nuk kanë vaksinuar as një përqind të popullësisë.

Në qarkun Knox të Ohajos, gjysma e departamentit të shëndetësisë dhe 60 për qind e punonjësve të urgjencës zgjodhën që për momentin të heqin dorë nga vaksina.

Nuk do t’i detyrojmë por donim të kishim më shumë pajtueshmëri”, thotë Mike Dewine, Guvernator i shtetit të Ohajos.

Por shumë janë të etur për t’u vaksinuar. Kryetari i Bashkisë së Hjustonit vizitoi klinikën e parë publike të vaksinimit, e cila planfikonte shpërndarjen e 750 vaksinave, por nevojat janë për 250 mijë të tilla.

Do na duhet të shkojmë në qendra të mëdha të furnizimit”, thotë Sylvester Turner.

Sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins ShBA ka mbi 20 milionë e 430 mijë të infektuar me COVID-19 dhe mbi 350 mijë viktima që nga fillimi i pandemisë.

Vandalizohet shtëpia udhëheqësit republikan dhe shtëpia e udhëheqëses demokrate

Mediet amerikane thanë se vandalët shënjestruan shtëpitë e udhëheqësit republikan të Senatit, Mitch McConnell dhe kryetares demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Ku janë paratë e mia” dhe “Mitch po vret të varfrit” ishte shkruar në derën dhe dritaren e shtëpisë së zotit McConnell në Louisville të Kentuckyt.

Media lokale raportoi se një kokë derri dhe gjak i rremë ishin lënë para shtëpisë së zonjës Pelosi në San Francisco me 2 janar.

Shtëpitë u vunë në shënjestër pas debatit mbi një ndihmë për përballen me COVID-19.

Një paketë ndihmash prej 900 miliardë dollarësh u miratua më në fund në prag të Krishtlindjes, kur Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga Demokratët miratoi një rritje të ndihmës nga 600 në 2 mijë dollarë.

Por Senati i udhëhequr nga republikanët nuk e miratoi rritjen, me gjithë thirrjet e furishme për ta bërë këtë nga presidenti Donald Trump.

Zoti McConnell i quajti mbishkrimet një “zemërim radikal” dhe shtoi se “vandalizmi dhe politika e frikës nuk kanë vend në shoqërinë tonë”. VOA

Gara për Senatin në Xhorxhia, rekord votash në procesin e hershëm

VOA

Një rekord prej 3 milionë votash janë hedhur në procesin e hershëm të votimit për dy garat për Senatin në shtetin e Xhorxhias, të cilat rezultuan më 3 nëntor në balotazh. Ato do të jenë përcaktuese se cila parti do të kontrollojë Senatin.

Shifrat e pjesëmarrjes, të përpiluara nga Projekti amerikan i Zgjedhjeve i Universitetit të Floridës, tregojnë interesim të madh të votuesve në zgjedhjet e së martës (5 janar). Këto gara vendosin përballë senatorët republikanë në detyrë David Perdue dhe Kelly Loeffler, kundër sfiduesve demokratë Jon Ossoff dhe Raphael Warnock.

Nëse republikanët fitojnë njërën ose të dyja këto vende, ata do të vazhdojnë të ruajnë shumicën ndonëse të lehtë në Senat, duke u mundësuar atyre të bllokojnë axhendën e Presidentit demokrat Joe Biden, i cili pritet të betohet më 20 janar.

Nëse demokratët fitojnë të dyja vendet, dhoma do të ndahet në 50 me 50, duke i dhënë rëndësi votës së Nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris, e cila është përcaktuese në rastet e një votimi 50 me 50 në Senat.

Mbi 3 milionë votat e parakohshme përbëjnë rreth 38.8% të të gjithë votuesve të regjistruar në këtë shtet, sipas Projektit të Zgjedhjeve. Kjo bën që pjesëmarrja të shënojë një nivel rekord për një balotazh në Xhoxhia, duke tejkaluar 2.1 milionë vota të hedhura gjatë garës për Senatin në këtë shtet në 2008.

Garat përfunduan në balotazh pasi më 3 nëntor asnjë kandidat nuk fitoi më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues.

Votimi i hershëm përfundoi të enjten. Xhorxhia publikoi informacione në lidhje me numrin e njerëzve që votuan, por nuk do t’i numërojë votat deri në ditën e zgjedhjeve.

Ndërkohë zoti Perdue është futur në karantinë së fundmi pasi ka patur kontakte me një person që ka rezultuar pozitiv për koronavirus.

SHBA, republikanët e Senatit rrëzojnë veton e Presidentit Trump

VOA

Republikanët e Presidentit Donald Trump në Senat rrëzuan të premten veton e tij ndaj një projektligji për mbrojtjen, duke iu kundërvënë kundërshtimeve të tij të forta.

Kjo shënon herën e parë gjatë katër viteve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë që republikanët e Senatit hedhin poshtë veton e tij ndaj një projektligji.

I mbledhur në një sesion të pazakontë për ditën e parë të Vitit të Ri, Senati votoi 81 me 13 duke arritur shumicën e nevojshme me dy të tretat për të tejkaluar veton presidenciale me mbështetje nga të dyja partitë, vetëm dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin të dielën. Tetë veto të mëparshme të presidentit janë mbështetur prej tyre.

Ligjvënësit republikanë kanë qëndruar kryesisht pranë presidentit gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Që nga humbja e zgjedhjeve në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar ata për faktin që nuk i mbështetën plotësisht pretendimet e tij të pabaza për mashtrim elektoral, që refuzuan kërkesën e tij për ndihmë më të madhe financiare ndaj familjeve amerikane në vështirësi dhe që po anashkalojnë veton presidenciale.

Senati i udhëhequr nga republikanët shqyrtoi në mesditë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë dollarësh, të cilin zoti Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj, sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë.

Akti për Mbrojtjen financon shumë projekte qeveritare, që nga numri i anijeve që prokurohen e deri te pagesat për ushtarët dhe masat për të përballuar kërcënimet gjeopolitike.

Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.

Presidenti Trump refuzoi ta nënshkruante atë në ligj sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë. Presidenti gjithashtu kundërshtonte një dispozitë që u heq bazave ushtarake të vendit emrat e gjeneralëve të luftës civile amerikane që luftonin në emër të Konfederatës së shteteve të jugut.

Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.

Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.

Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.

Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.

Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar.

Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.

Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve.

Senatori republikan kundër “marifeteve të rrezikshme” për të përmbysur zgjedhjet

Marrë nga Associated Press

Senatori republikan nga Nebraska, Ben Sasse lëshoi një kritikë të fortë të enjten ndaj përpjekjeve të republikanëve për të kundërshtuar më 6 janar vendimin e Kolegjit Zgjedhor mbi garën presidenciale, duke paralajmëruar kolegët rreth asaj që ai e quajti “manovër të rrezikshme” që mund të dëmtojë traditat e qeverisjes së vendit.

Zoti Sasse, një pretendent i mundshëm për president për garën e vitit 2024, postoi një shpjegim të gjatë të pikëpamjeve të tij në mediat sociale, përfshirë rrëzimin e pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve në shtetet kryesore që u fituan nga Presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Zoti Sasse tha se e ndjente për detyrë të thoshte “të vërtetën” pasi zgjedhësit si dhe ata që mbështesin Presidentin Donald Trump donin të dinin se ku qëndronte ai mbi këtë çështje.

“Nuk do të marr pjesë në një plan për të përmbysur zgjedhjet”, shkruante zoti Sasse. Ai tha se donte të shpjegonte “se pse u bëj thirrje kolegëve që të refuzojnë këto marifete të rrezikshme”.

Zoti Trump, presidenti i parë që humbet garën për një mandat të dytë në pothuajse 30 vjet, ia ka atribuar humbjen e tij manipulimeve të gjera me votat, pavarësisht se zyrtarët jopartiakë të zgjedhjeve i kanë hedhur poshtë këto pretendime. Ai i ka shtyrë senatorët republikanë të hetojnë rreth akuzave të tij të pabazuara edhe pse Kolegji Zgjedhor këtë muaj çimentoi fitoren e zotit Biden me 306 vota elektorale si dhe në një kohë kur përpjekjet e shumta ligjore të tij për të sfiduar rezultatin, kanë dështuar. VOA

Trump, Biden japin mesazhe me rastin e Vitit të Ri

VOA

Në një mesazh me rastin e Vitit të Ri, Presidenti Donald Trump reflektoi rreth arritjeve tij, duke i quajtur ato “fitore historike”, ndërsa pasardhësi i tij, Presidenti i zgjedhur Joe Biden, dha një ton optimist për vitin 2021.

Pas disa javë përpjekjesh për të fituar betejën për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, republikani Trump tha në një video të postuar në Twitter: “Njerëzit duhet të na kujtojnë për atë që është bërë”.

Zoti Trump, i cili ende nuk e ka pranuar zyrtarisht humbjen në zgjedhjet e nëntorit ndaj rivalit demokrat, u kthye në Uashington nga vendpushimi i tij në Florida më herët se sa ishte planifikuar.

Ndërkohë, duke folur nga shteti Delauer, Presidenti i zgjedhur Biden shprehu nderim për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe inkurajoi njerëzit që të vaksinohen. Ai i bëri komentet gjatë një paraqitjeje të shkurtër me gruan e tij, Jill Biden, në një program special të televizionit ABC.

“Unë kam absolutisht besim të plotë se ne do të rikthehemi dhe do të rikthehemi edhe më të fortë se më parë”, tha zoti Biden, i cili do të bëjë betimin më 20 janar.

Ai përsëriti thirrjen që vaksinat të shpërndahen më shpejt.

Presidenti Trump, i cili u prek vetë nga koronavirusi në tetor, shpesh e minimizoi rrezikun e pandemisë. Shumë ekspertë të shëndetësisë e kanë kritikuar përgjigjen e tij ndaj pandemisë si të paorganizuar, duke thënë se në disa raste ai nuk përfilli shkencën që shpjegon transmetimin e virusit.

Por në komentet e tij ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar një vaksinë për COVID-19 në kohë rekord dhe se ai e parashikoi saktë se vaksina do të dilte para mbarimit të vitit.

Shtetet e Bashkuara janë bërë një nga vendet më të goditura nga COVID-19, me më shumë se 340,000 vdekje, që i atribuohen zyrtarisht koronavirusit.

Boston, hiqet statuja e skllavit të liruar, të gjunjëzuar para Abraham Lincolnit

Marrë nga Associated Press

Një statujë e Abraham Lincoln-it me një skllav të liruar që duket se po gjunjëzohet përpara tij, është hequr nga një zonë në qendër të Bostonit. Statuja shkaktoi kundërshtime gjatë protestave në mbarë vendin kundër padrejtësive racore.

Punonjësit e hoqën Memorialin e Emancipimit, i njohur gjithashtu si Grupi i Emancipimit dhe Memorial i Freedman-it, të martën herët nga një park në Boston, ku kishte qëndruar që nga viti 1879.

Zyrtarët e qytetit ranë dakord në fund të qershorit për të hequr statujën pas ankesave dhe një debati të hidhur mbi atë që ajo përfaqësonte. Kryebashkiaku Marty Walsh pranoi në atë kohë se statuja i bëri banorët dhe vizitorët “të mos ndiheshin rehat”.

Statuja prej bronzi është kopje e një monumenti që u ngrit në Uashington, tre vjet para se të ngrihej në Boston. Kopja u instalua në Boston sepse qyteti ishte vendlindja e krijuesit të statujës, Thomas Ball.

Ajo u krijua për të festuar lirimin e skllevërve në Amerikë dhe u bazua në historinë e afrikano amerikanit Archer Alexander, i cili i shpëtoi skllavërisë, ndihmoi Ushtrinë e Unionit dhe ishte njeriu i fundit i rikapur bazuar në Aktin e Skllevërve të Arratisur.

Por ndërsa një pjesë e banorëve e panë njeriun pa këmishë që ngrihej në këmbë ndërsa shkulte prangat e thyera në kyçet e tij, të tjerët e perceptonin atë si të gjunjëzuar para Lincoln-it, çlirimtarit të tij të bardhë.

Donatorët e liruar afrikano-amerikanë paguan për statujën origjinale në Uashington. Politikani i bardhë dhe interpretuesi i cirkut Moisi Kimball financoi kopjen në Boston. Dy statujat kanë mbishkrimin “Një racë u la e lirë dhe vendi në paqe. Linkolni pushon nga punët e tij”.

Peticion dhe votimi

Më shumë se 12,000 njerëz nënshkruan një peticion që kërkonte heqjen e statujës dhe komisioni i arteve publike të Bostonit votoi unanimisht për ta hequr atë. Statuja do të vendoset në një depo derisa qyteti të vendosë nëse do ta shfaqë atë në një muze.

“Vendimi për heqjen e statujës merr parasysh rolin e saj në përjetësimin e paragjykimeve të dëmshme dhe errësimin e rolit të afrikano-amerikanëve në formimin e lirive të vendit”, tha komisioni në një deklaratë të postuar në faqen e tij të internetit.

Memoriali ishte në radarin e Bostonit të paktën që nga viti 2018, kur nisi një rishikim gjithëpërfshirës për të parë nëse skulpturat publike, monumentet dhe veprat e tjera artistike pasqyrojnë larminë e qytetit dhe nuk ofendojnë komunitetet me ngjyrë. Komisioni i arteve tha se po u kushtonte vëmendje të shtuar punimeve me “histori problematike”.

Verën e kaluar, protestuesit u zotuan të shembnin statujën origjinale në Uashington, duke bërë që Garda Kombëtare të dislokonte një detashment ushtarak për ta ruajtur atë

Biden: Administrata aktuale po pengon ekipin e tranzicionit

Marrë nga Reuters

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha të hënën se shumë nga agjencitë e sigurisë kombëtare në vend janë “boshatisur” gjatë administratës së Presidentit Trump dhe se mungesa e informimit të ekipit të tij nga administrata aktuale është “papërgjegjshmëri”.

“Kemi ndeshur pengesa nga udhëheqja politike e Departamentit të Mbrojtjes si dhe Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Menaxhimin dhe Buxhetin,” tha zoti Biden pas një mbledhjeje me ekipin e tij për politikën e jashtme.

“Për momentin, nuk po marrim informacionin që na nevojitet nga administrata aktuale në aspekte kyçe të sigurisë kombëtare. Kjo nuk është asgjë më pak se papërgjegjshmëri,” tha ai.

Zoti Biden foli gjithashtu edhe për incidentin e Krishtlindjes në Neshvill të shtetit Tenesi.

“Shpërthimi na kujton forcën shkatërrimtare të një individi apo grupi të vogël dhe vigjilencën që kërkohet nga të gjithë”.

Demokrati Joe Biden mundi presidentin në zgjedhjet e 3 nëntorit, por ekipi demokrat filloi takimet dhe informimin nga administrata aktuale për koordinimin e transferimit të pushtetit në fund të nëntorit.

Presidenti Trump nuk pranon të njohë fitoren e rivalit dhe nuk autorizoi bashkëpunim me zotin Biden deri më 23 nëntor.

Në fillim të muajit, ekipi i zotit Biden tha se kishin hasur në rezistencë në marrjen e informacionit nga disa zyrtarë të Pentagonit.

Pentagoni iu kundërpërgjigj ankesave të ekipit të presidentit të zgjedhur. Një zyrtar i lartë në Pentagon tha javën e kaluar se Pentagoni ka kryer 163 intervista dhe ka përmbushur 181 kërkesa për informacion dhe do të vazhdonte të ofronte të dhëna dhe të zhvillonte mbledhje informimi.

Por zoti Biden i përsëriti këto shqetësime të hënën dhe tha se administrata e Presidentit Trump u kishte shkaktuar dëme serioze disa agjencive qeveritare.

“Të themi të vërtetën, shumë agjenci me rëndësi kritike për sigurinë tonë kanë pësuar dëme të mëdha,” tha ai. “Shumë prej tyre janë boshatisur pasi u është reduktuar personeli, kapacitetet dhe është brejtur morali. Proceset politike janë atrofizuar ose anashkaluar”.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden tha se mbështet shtimin e shumës që marrin amerikanët në kuadër të ndihmave federale në përgjigje të pandemisë, nga 600 në 2000 dollarë. Të dielën, Presidenti Trump nënshkroi paketën e ndihmave kundër pandemisë dhe buxhetin qeveritar, pasi kishte kërcënuar se do ta bllokonte nëse ligjvënësit nuk binin dakord për t’u dërguar amerikanëve 2000 dollarë pagesa ndihme, një masë që mbështetet nga demokratët në Kongres. zëri i amerikës

SHBA ngrenë akuza të reja lidhur me rrëzimin e avionit mbi Lokërbi

Përkujtimore për viktimat e avionit Pan Am 103

 

Masood Farivar

Prokurori i Përgjithshëm në largim, William Barr njoftoi të hënën akuza penale ndaj një të dyshuari tjetër për hedhjen të erë të avionit të kompanisë Pan Am mbi Lokerbi të Skocisë në 1988.

Akuzat kundër Abu Agela Masud, ish-zyrtar i lartë i zbulimit libian dhe prodhues bombash, ngrihen në 32-vjetorin e hedhjes së avionit në erë me 270 vetë në bord. Ky mbetet sulmi më i rëndë terrorist në historinë e Britanisë dhe i dyti më i rëndë për Shtetet e Bashkuara, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Mesazhi që u dërgojmë terroristëve në mbarë botën është se nuk do të kenë sukses nëse sulmojnë amerikanë; se kudo që janë, pavarësisht se sa kohë duhet, ne do t’i ndekim deri në vrimën e fundit të tokës për të çuar në vend drejtësinë,” tha zoti Barr në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit.

Zoti Barr tha se ky sulm ishte “me një rëndësi të veçantë” për të sepse ai ishte prokuror i përgjithshëm në administratën e Presidentit George H. W. Bush në 1991 kur autoritetet amerikane e skoceze ngritën akuza ndaj dy zyrtarëve të zbulimit libian lidhur me sulmin.

Fillimisht Libia mohoi çdo përfshirje në komplot. Por pas një presioni të madh ndërkombëtar e diplomatik, ra dakord në 1999 t’ia dorëzonte dy të dyshuarit Holandës, ku u nxorën para një gjykate speciale skoceze.

Një nga dy të akuzuarit, Abdel Baset Ali al-Megrahi, u dënua me burgim të përjetshëm në 2001. Ai u lirua më pas për arsye humanitare, pasi vuante nga kanceri dhe vdiq disa muaj më pas. I dyti, Lamen Khalifa Fhimah, u lirua nga akuzat.

Në vitin 2003, regjimi i Muamar Kadafit pranoi përgjegjësinë për sulmin dhe u pagoi më pas 2.7 miliardë dollarë familjeve të viktimave.

21 dhjetor 2020

21 dhjetor 2020

Zoti Barr tha se provat e reja që çuan në ngritjen e akuzave të fundit dolën kur agjencitë e zbulimit mësuan në 2016 se Masud ishte arrestuar pas rrëzimit të regjimit të Kadafit në 2011 dhe ishte intervistuar nga një oficer libian në shtator 2012.

Sipas dokumenteve të padisë të bëra të ditura të hënën, Masudi kishte prodhuar bombën që hodhi në erë avionin dhe kishte bashkëpunuar me dy komplotistë të tjerë.

Dokumentet ngrenë pretendimin se akti u urdhërua nga zbulimi libian dhe se pas hedhjes në erë të avionit Kadafi “kishte përgëzuar Masudin për sulmin e suksesshëm kundër SHBA”.

Hedhja në erë e avionit që po udhëtonte drejt Nju Jorkut la të vdekur 270 persona, ndër to 259 pasagjerë e ekuipazh dhe 11 persona në tokë. Viktimat përfshinin 35 studentë të Universitetit të Sirakuzës që po ktheheshin në atdhe pas një semestri jashtë vendit. Incidenti la të vdekur shtetas nga 21 vende.

Lockerbie bombing

Lockerbie bombing

Hedhja në erë e avionit ishte siç duket akt hakmarrës ndaj përgjigjes së Presidentit Regan ndaj bombës së 1986 në një klub në Berlin të frekuentuar nga personel ushtarak amerikan.

Masudi besohet se ishte i përfshirë në sulmin në klubin e natës, që la të vrarë dy ushtarakë amerikanë dhe një turke, sipas padisë. Ai po mbahet nën arrest nga autoritetet libiane dhe zoti Barr tha se shpreson që libianët do ta dorëzojnë për t’u gjykuar në SHBA.

“Më në fund, ky individ përgjegjës për vrasjen e amerikanëve e shumë të tjerëve do t’i përgjigjet drejtësisë për krimet e kryera,” tha zoti Barr.

Kara Weipz, e cila humbi të vëllain, Rick Monetti nga ky shpërthim, tha se familjet e viktimave ndjehen “të justifikuara” dhe “të shpaguara”.

“Motoja e anëtarëve të familjes lidhur me 32 vitet e fundit ka qenë ‘E vërteta duhet të dalë në dritë‘,” tha në një konferencë për shtyp zonja Weipz, e cila është presidente e shoqatës së viktimave të avionit Pan Am Flight 103.

“Dita e sotme konfirmon atë që e kemi besuar si të vërtetë prej kohësh dhe është një hap përpara për të mbajtur përgjegjës ata që janë autorët e vrasjes së 270 personave të pafajshëm më 21 dhjetor 1988”.

Roli i Masudit në hedhjen në erë të avionit u përmend në një serial dokumentar të kanalit PBS, të realizuar nga producenti Ken Dornstein, vëllai i të cilit, David Dornstein, ishte një ndër viktimat.

Pas nxjerrjes nga burgu të al-Megrahit në 2009, producenti Dornstein e ndjeu të nevojshme “të kërkonte përgjigje për një numër pyetjesh” lidhur me kursin e hetimeve të tij për rolin e Masudit.

Një ish-agjent i FBI-së i tha producentit se FBI-ja ishte në dieni të aktivitetit të Masudit, por nuk mund ta identifikonte, sipas kanalit PBS.

Barr: Nuk shoh arsye për Prokuror të Posaçëm për zgjedhjet dhe çështjen Hunter Biden

VOA

Prokurori i Përgjithshëm në largim William Barr tha se ai nuk shihte “asnjë arsye” për të caktuar një Prokuror të Posaçëm lidhur me pretendimet për manipulim të zgjedhjeve ose hetimin e taksave të djalit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Në një konferencë të fundit për shtyp të hënën zoti Barr tha se hetimi mbi marrëdhëniet financiare të Hunter Biden-it “po trajtohej me përgjegjësi dhe profesionalizëm”.

Nuk shoh arsye për të caktuar një prokuror të posaçëm dhe nuk kam në plan ta bëj një gjë të tillë përpara se të largohem“, tha ai.

Gjatë një interviste pak kohë më parë për agjencinë e lajmeve Associated Press zoti Barr tha se ai nuk kishte parë prova për maninulim të gjerë me votat, pavarësisht nga pretendimet e Presidentit Donald Trump. Zoti Trump ka vazhduar të nxisë pretendime të pabazuara edhe pasi Kolegji Zgjedhor konfirmoi fitoren e zotit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Sipas njoftimeve Presidenti Trump ka qenë duke peshuar mundësinë për të nxitur Departamentin e Drejtësisë për të caktuar një prokuror të posaçëm, i cili do ta bënte më të vështirë për zotin Biden të mbyllte hetimet për të dyja çështjet. Por nuk është e qartë se si mund ta bënte një gjë të tillë pa mbështetjen e zyrtarëve të drejtësisë..


Send this to a friend