VOAL

VOAL

I akuzuari për tentim vrasjeje të Trumpit deklarohet i pafajshëm

Një burrë që, sipas autoriteteve, kaloi 12 orë jashtë fushës së golfit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, përpara se Shërbimi Sekret ta pikaste, u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave federale, që përfshijnë akuzën për tentim vrasjeje.

I akuzuari Ryan Wesley Routh u paraqit në gjykatën federale në West Palm Beach disa ditë pasi u paraqit aktakuza me pesë pika, që lidhej me përpjekjen e dytë për të vrarë Trumpin që nga korriku.

Routh hyri në sallën e gjyqit i prangosur dhe i përshëndeti gazetarët e mbledhur për ta ndjekur procesin. Avokatët e tij refuzuan të komentojnë pas seancës.

Përpjekja e pretenduar për vrasje u pengua kur një anëtar i Shërbimit Sekret vuri re tytën e pushkës e Routh që dilte përtej gardhit të fushës së golfit, ku po luante Trump, sipas autoriteteve. Një agjent qëlloi në drejtim të Routhit, i cili u largua me shpejtësi dhe pastaj u arrestua pranë vendit të ngjarjes.

Zyrtarët kanë thënë se Routh nuk qëlloi asnjë plumb dhe nuk e kishte Trump në rrezen e shikimit të tij. Ai la pas një kamerë digjitale, një çantë shpine, një pushkë dhe një qese plastike me ushqime.

Prokurorët kanë thënë se Routh kishte shkruar për planet e tij për ta vrarë Trumpin në një shënim të shkruar me dorë disa muaj para arrestimit të tij më 15 shtator, ku e përshkruante veprimin e tij si një “përpjekje të dështuar për vrasjen e Donald Trump” dhe ofronte 150.000 dollarë për këdo që mund ta “mbaronte punën”.

Ky shënim ishte në një kuti që Routh raportohet se e kishte dorëzuar në shtëpinë e një dëshmitari të paidentifikuar disa muaj para arrestimit të tij.

Seanca e ardhshme në këtë rast do të mbikëqyren nga gjyqtarja federale Aileen Cannon, e cila u emërua në këtë post nga Trump dhe gjithashtu është caktuar të merrej me çështjen penale ku ish-presidenti akuzohet për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago.

Cannon ka tërhequr vëmendje për mënyrën e saj të trajtimit të çështjes penale të Trumpit, të cilën e hodhi poshtë në korrik, vendim që tani po apelohet nga ekipi i këshilltarit special Jack Smith.

Arrestimi i Routhit ndodhi dy muaj pasi Trump u qëllua dhe u plagos në vesh gjatë një përpjekje për vrasje në një tubim fushate në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka pranuar se ka pasur mangësi në sigurinë para atij sulmi, por ka thënë se masat e sigurisë funksionuan siç duhet për të parandaluar një sulm të mundshëm në Florida.

Fillimisht, Routh u akuzua vetëm për vepra penale që lidheshin me armët, përpara se prokurorët të ngrinin akuza të tjera më serioze. Prokurorët shpesh ngrenë fillimisht akuzat më të lehta për t’u provuar dhe më pas shtojnë akuza më të rënda gjatë zhvillimit të hetimit.

Akuzat e tjera përfshijnë posedimin e paligjshëm të armës, pavarësisht se ai kishte disa dënime penale, duke përfshirë dy akuza për posedim të mallrave të vjedhura në vitin 2002 në Karolinën e Veriut. Ai gjithashtu akuzohet për posedimin e një arme me numrin serik të fshirë, në kundërshtim me ligjin federal. rel

“Vrasës të ftohtë, përbindësha”- Donald Trumpi përshkallëzon retorikën kundër emigrantëve

Kandidati republikan për president, Donald Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër emigrantëve dhe ka shtuar fyerjet personale kundër Kamala Harrisit, gjatë një tubimi të shtunën në shtetin e Wisconsit.

 

Fjalimi i Trump atje iu kushtua në mënyrë të pazakontë pothuajse tërësisht emigrantëve pa dokumente.

Ai pretendoi se emigrantët në SHBA janë kriminelë të dhunshëm, duke iu referuar atyre si “vrasës të ftohtë”, “përbindësha” dhe “kafshë të neveritshme”.

Kandidati republikan për president ishte i rrethuar nga postera të emigrantëve në SHBA, të cilët janë arrestuar për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme, dhe pankarta që shkruanin “Fund krimit të migrantëve” dhe “Dëboni ilegalët tani”.

Trump sulmoi Harrisin e cila të premten vizitoi kufirin SHBA-Meksikë për herë të parë në fushatën e saj presidenciale 2024, duke e quajtur atë “të paaftë mendërisht”.

Ish-presidenti fajësoi Harrisin dhe presidentin Joe Biden për lejimin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, duke akuzuar disa emigrantë se duan të “përdhunojnë, plaçkisin, vjedhin dhe vrasin njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Panorama

Senati amerikan hetim për lidhjet e qeverisë shqiptare me dhëndërrin e Trump Jared Kushner!

Senati amerikan heton lidhjet e zyrtarëve serbë dhe shqiptarë me projektet e Jared Kushner

Ivan Angelovski

Komiteti i Financave në Senatin e Shteteve të Bashkuara tha të mërkurën se hetimi i tij mbi ka zbuluar se zyrtarë të qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan proaktivisht kompanisë me propozime për projekte të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në vendet e tyre.

Kompania që merret me aksione dhe investime është e lidhur me ,  dhëndri dhe këshilltari i ish-presidentit të SHBA-ve, .

Në një letër drejtuar Affinity, kryetari i Komitetit të Financave i Senatit, Senatori tha se komiteti tani po kërkon të identifikojë zyrtarët dhe ndërmjetësit e përfshirë në këto komunikime.

Letra nga Komiteti i Financave u dërgua afërsisht në të njëjtën kohë kur djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., ndodhej në Beograd për të takuar biznesmenë serbë, ndërkohë që fushata presidenciale e SHBA-së, në të cilën Trump është kandidat republikan, po hyn në fazat e saj përfundimtare.

Senatori Wyden, një demokrat nga Oregoni, nisi hetimin mbi Affinity Partners në qershor, pas raporteve për investimet e planifikuara në dhe . Në Serbi, kompania pritet të rikonstruktojë ish-Shtabin Ushtarak të Jugosllavisë në Beograd që u dëmtua rëndë gjatë bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

Në komunikimet e saj me Komitetin, Wyden tha se Affinity kishte konfirmuar se zhvillimi i planifikuar i sitit në Beograd do të përfshinte një “muze që përshkruhet si një monument për ‘viktimat e agresionit të NATO-s’”.

Wyden është shumë kritik ndaj këtij memoriali të propozuar: “Është krejtësisht e papërshtatshme që një qeveri e huaj të kërkojë që një firmë amerikane të marrë pjesë në këtë lloj revizionimi anti-amerikan të historisë, një akt që përpiqet të fshijë spastrimet etnike dhe gjenocidin dhe bën NATO-n të duket personazh negativ. Është tronditëse që një firmë e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti dhe një kandidati që mund të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA, e pranon këtë” shkroi ai.

Kompania gjithashtu planifikon të investojë në projekte luksoze të pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar. Mediat kanë raportuar se ndër investitorët e tjerë të huaj, Affinity Partners ka marrë 2 miliardë dollarë financim nga Fondi Publik i Investimeve i Arabisë Saudite.

Në letrën e tij fillestare drejtuar kompanisë, Wyden kërkoi të dhëna dhe informacion mbi “dhjetëra milionë [dollarë] që Kushner po merr nga sauditët dhe burime të tjera të huaja çdo vit duke shfrytëzuar boshllëqet ligjore mbi transparencën e fondeve private të investimeve për të fshehur këto marrëveshje nga publiku”.

Në një letër të mëvonshme, të publikuar këtë javë, Wyden kërkoi “një listë të detajuar të personelit të qeverisë shqiptare, ose individëve që kanë kontaktuar Affinity në emër të qeverisë shqiptare, të cilët e kanë kontaktuan së pari Affinity për të diskutuar investimet e pasurive të paluajtshme në Shqipëri”. Ai ka bërë një kërkesë të ngjashme për zyrtarët serbë.

Wyden gjithashtu kërkon kopje të të gjitha komunikimeve midis punonjësve të Affinity dhe anëtarëve të familjes Trump në lidhje me këto projekte, duke përfshirë gruan e Kushner, .

Affinity ka konfirmuar për Wyden se qeveritë serbe dhe shqiptare do të kenë kontroll të plotë mbi të gjitha aspektet e këtyre projekteve të mundshme, përfshirë fuqinë vendimmarrëse mbi lejet, taksat lokale dhe licencat për projektet.

Megjithatë, Wyden shkroi se kjo do të thotë që Serbia dhe Shqipëria do të kenë “kontroll potencialisht shantazhues mbi investimet e familjes së atij që mund të jetë presidenti i ardhshëm”. Sipas Wyden, një nivel i tillë i përfshirjes së qeverisë ngre pyetje në lidhje me natyrën e këtyre marrëdhënieve.

“Për të dy zhvillimet e propozuara të pasurive të paluajtshme, qeveritë serbe dhe shqiptare duket se zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret ajo. Këto kushte u lejojnë qeverive serbe dhe shqiptare të kërkojnë përfitime të pazakonta nga Affinity gjatë procesit,” deklaroi Wyden.

Pyetje mbi lidhjen saudite

Sipas letrës së Wyden, Affinity ka fituar 157 milionë dollarë në pagesa nga klientët e huaj, përfshirë 87 milionë nga qeveria e Arabisë Saudite.

Affinity i ka bërë me dije Komitetit se i faturon investitorit kryesor të tij, Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite, një interes vjetor prej 1.25 për qind mbi 2 miliardë dollarët në fonde të premtuara dhe se investitorët e tjerë po paguajnë më shumë se 2 për qind interesa mbi fondet e premtuara.

Wyden pretendon se struktura e tarifave të Affinity është jashtëzakonisht e lartë, duke marrë parasysh tendencat e tregut dhe mungesën relative të përvojës së Kushner dhe të punonjësve të tjerë të lidhur me Trump në këtë industri.

Affinity thotë se fondet e saj nuk kanë gjeneruar asnjë kthim investimi deri më tani dhe se nuk kanë shpërndarë asnjë fitim për klientët.

Wyden pretendon se varësia e Affinity nga një grup i vogël investitorësh të lidhur me qeveri të huaja ngre gjithashtu shqetësime në lidhje me Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, që rregullon lobimin e huaj në SHBA.

“Meqenëse 100 për qind e kapitalit të jashtëm të Affinity dhe burimeve të të ardhurave vijnë nga burime të huaja, kryesisht fondet sovrane, jam i shqetësuar që fondet private të investimeve të Affinity po shfrytëzohen nga ish-zyrtarë të qeverisë amerikane si një mënyrë për të marrë kompensim nga qeveritë e huaja pa i deklaruar këto pagesa sipas FARA-s,” shkroi Ëyden.

Madhësia e investimit saudit ka ngritur prej kohësh pikëpyetje. New York Times raportoi në prill 2022 pretendimet se investimi “duket si një shpërblimi i mundshëm për veprimet e Kushner në Shtëpinë e Bardhë – ose si një përpjekjeje për favore në të ardhmen nëse Trump kërkon dhe fiton një mandat tjetër presidencial në vitin 2024”.

Opozita e Serbisë e zbuloi për herë të parë informacionin që kompania amerikane do të investonte në Serbi në mars.

Projekti u kritikua në raporte për shkak të dyshimeve për korrupsion, por edhe për shkak të vlerës arkitektonike dhe kulturore të ish-Shtabit Ushtarak të Jugosllavisë të dëmtuar në Beograd. Ndërtesa u ndërtua në vitin 1965 dhe është projektuar nga arkitekti i njohur serb Nikola Dobrovic./Reporter.al

Letra e plote:

Republikanët “ndalojnë” Kostelancik të vijë në Shqipëri, kandidatura e tij si zëvendësues i Yuri Kim, pengohet në senat

Mosmarrëveshjet mes republikaneve dhe demokratëve në senatin amerikan për çështje të brendshme vijojnë të mbajnë të bllokuar rreth 40 emrat të cilët administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka kandiduar për të qenë ambasadorët e rinj amerikane në vende të ndryshme të botës, duke përfshire edhe të nominuarin e Biden për ambasador të Shteteve te Bashkuara në Shqipëri David J. Kostelancik.

Në një seancë të 24 shtatorit, senatorja demokrate nga New Hampshire Jeanne Shaheen prezantoi në senat një mocion ku kërkonte miratimin e të nominuarit të presidentit Biden në Shqipëri David J. Kostelancik, por serish u përball me pengesën republikane,

“Vij sot këtu për të mbështetur nominimi i David Kostelancik per te qene Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri. Për mbi 35 vjet, z. Kostelancik ka shërbyer si diplomat karriere I Shërbimi i Jashtëm dhe një kandidat i kualifikuar dhe shembullor për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në një kryeqytet aleat.  Ai ka shërbyer më parë në Shqipëri, si dhe detyra jashtë vendit si në Turqi, Rusi dhe Hungari, ku ai drejtoi Ambasadën tonë si i Ngarkuar me Punë për gati 2 vjet. Është e qartë se ne kemi një kandidat shumë te kualifikuar për të shërbyer si ambasador në Shqipëri. Dua te theksoj se perse është kaq kritike që ne te konfirmojnë një ambasador në Shqipëri dhe që ta bëjmë pa vonesë. Shqipëria është një histori e vërtetë suksesi për Politiken e jashtme amerikane. Vetëm 30 vjet më parë Shqipëria po zgjohej nga më shumë se katër dekada të sundimit komunist”, tha senatorja.


Deklarate e cila u kundërshtua nga senatori republikan nga Utah Mike Lee i cili dha disa argumente kundër kësaj kandidature.

“Kryqëzata e vazhdueshme e diplomatëve të karrierës për të përhapur ideologjinë “woke” në emër të Shteteve të Bashkuara shpesh vepron qartësisht kundër interesave tona dhe minon aktivisht reputacionin dhe ndikimin e kombit tonë. Ashtu si shumë nga të nominuarit e Biden-Harris, z. Kostelancik ka treguar paaftësi për të lënë mënjanë pjesëmarrjen e tij personale politike ndërsa përfaqëson interesat e SHBA-së jashtë vendit. Performanca e tij e kaluar si i ngarkuar me punë në Hungari duhet ta diskualifikojë atë për t’u besuar sërish me përgjegjësinë diplomatike. Z. Kostelancik ndërhyri hapur në politikën hungareze. Ai sulmoi lirinë e shtypit dhe u përfshi në aktivizëm të hapur social, të cilin qeveria hungareze e konsideroi si një ndërhyrje të papërshtatshme në politikën e brendshme të Hungarisë. Kostelancik dëmtoi marrëdhënien tonë me një aleat të besueshëm dhe të rëndësishëm për hir të përhapjes së ideologjisë partiake jashtë vendit, në një kohë kur ai ishte thjesht një zëvendës deri sa administrata e Trump-it të nominonte një ambasador. Tani administrata Biden-Harris dëshiron ta bëjë atë përgjegjësin kryesor për interesat e qeverisë amerikane në Shqipëri. Administrata Biden-Harris kishte çdo mundësi të paraqiste një kandidat të ri për këtë pozicion kur emërimi i z. Kostelancik iu kthye Presidentit në fund të vitit të kaluar, por në vend që të paraqiste një kandidat me një reputacion më të favorshëm, një të kaluar më pak kontradiktore dhe një përqendrim të dëshmuar në interesat kryesore të SHBA-së, Presidenti Biden po e promovon z. Kostelancik.

Imperializmi kulturor vazhdon të dominojë, të shpërqendrojë dhe të shkatërrojë reputacionin dhe efektivitetin e trupit tonë diplomatik. Nuk do të jem i paangazhuar në përpjekje të tilla, dhe për këtë arsye kundërshtoj”, tha Lee.

Ne dhjetor te vitit te kaluar Senati amerikan nuk e miratoi emërimin e Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri duke e kthyer këtë kandidature te presidenti Biden. Nuk dihet ende se kur do te jete seanca e radhës ne senat per shkak te procesit elektoral të nëntorit ku e gjithë vëmendja e politikes amerikane fokusohet te presidencialet.bw

Trumpi dhe Zelensky u takuan në Nju Jork

Takimi mes Donald Trumpit dhe Volodymyr Zelenskyt në Nju Jork.

 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua në Nju Jork me Donald Trumpin, kandidatin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.

Trump tha se nëse zgjidhet president, “ne do të punojmë me të dyja palët” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, që ai tha se beson se “mund të zgjidhet shumë shpejt”.

“Kam raport shumë të mirë [me Zelenskyn] dhe po ashtu kam një raport shumë të mirë, siç e dini, me presidentin [rus, Vladimir] Putin”, tha Trump më 27 shtator në Kullën Trump në Nju Jork, ku u mbajt takimin.

“Mendoj se nëse fitoj [në zgjedhjet presidenciale të nëntorit], do të kemi një zgjidhje shumë të shpejtë”, shtoi ai.

Takimi vjen mes rritjes së tensioneve mes dy zyrtarëve lidhur me mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

Mbajtja e këtij takimi ishte vënë në pikëpyetje paraprakisht, por Trump tha se “vetë fakti që jemi bashkë sot është shenjë e mirë”.

“Mendoj se kemi një qëndrim të përbashkët se lufta në Ukrainë duhet të ndalet dhe [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk mund të fitojë”, tha Zelensky në nisje të takimit.

Takimi u zhvillua në Kullën Trump në Nju Jork, një ditë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kundërshtarja demokrate e Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, u takua me liderin ukrainas dhe shprehu mbështetje të palëkundur për Ukrainën.

Trump dhe Harris kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mbështetjes së Ukrainës, teksa lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon.

Trump në ditët e fundit ka lavdëruar fitoret historike ushtarake të Rusisë dhe ka insistuar se SHBA-ja ka nevojë “të largohet” dhe t’i japë fund përfshirjes me Ukrainën.

Gjatë një interviste për The New Yorker, që u publikua më herët gjatë kësaj jave, Zelensky la të kuptohet se Trumpi nuk e kupton dhe e thjeshton konfliktin. Udhëheqësi ukrainas tha se kandidati i Trumpit për nënpresident, JD Vance, ishte “shumë radikal” dhe po avokon që Ukraina “të bëjë një sakrificë” duke “hequr dorë nga territori i saj”.

Gjatë kësaj jave, Trumpi në dy raste ka kritikuar Zelenskyn. Duke folur gjatë një ngjarjeje në Karolinën e Veriut të mërkurën, Trump tha:

“Çdo marrëveshje – qoftë marrëveshja më e keqe – do të ishte më e mirë nga ajo që kemi tani”.

Ndërkaq, Harris në takim me Zelenskyn tha se Trumpi po kërkon që Ukraina të arrijë një marrëveshje të shpejtë dhe propozimet e tij, sipas saj, “nuk janë propozime për paqe, por propozime për dorëzim”. Por, Trump ka deklaruar se ai nuk po avokon për dorëzim.REL

Lufta në Ukrainë- Trump dhe Zelensky do të takohen në Nju Jork, mes debateve në rritje

Donald Trump ka thënë se do të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Nju Jork të premten. Kandidati republikan për president tha në një konferencë shtypi se dyshja do të takohen në pronën e tij Trump Tower.

Takimi është vendosur të vazhdojë pavarësisht raporteve të mëparshme se ishte anuluar në mes të zemërimit në rritje nga republikanët, pasi Zelensky vizitoi më herët shtetin kyç amerikan të Pensilvanisë.

Të enjten, Zelensky u takua me Presidentin e SHBA Joe Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar “planin e tij të fitores”, i cili ai shpreson se do të bëjë presion ndaj Rusisë për të rënë dakord për një fund diplomatik të luftës. “Presidenti Zelensky ka kërkuar të takohet me mua dhe unë do të takohem me të nesër në mëngjes”, u tha Trump gazetarëve në Nju Jork.

“Dhe është turp ajo që po ndodh në Ukrainë. Kaq shumë vdekje, kaq shumë shkatërrime. Është një gjë e tmerrshme.” Trump tha se besonte se do të ishte në gjendje të “bënte një marrëveshje” midis presidentit rus Vladimir Putin dhe Zelensky “mjaft shpejt”. Kur u pyet për të dhënë detaje të një marrëveshjeje të tillë, ai u përgjigj: “Nuk dua t’ju them se si duket”.


Ish-presidenti amerikan po fliste pasi Zelensky ishte takuar më parë me Biden dhe Harris. Disa orë më parë, Biden kishte njoftuar një paketë shtesë prej 7.9 miliardë dollarësh (5.9 miliardë paund) të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Duke folur së bashku me presidentin ukrainas pas takimit të tyre, Harris tha se ka “disa njerëz në vendin tim” që “do ta detyrojnë Ukrainën të heqë dorë nga pjesë të mëdha të territorit të saj sovran”.

“Këto propozime janë të njëjta me ato të Putinit,” tha ajo, duke i quajtur ato “propozime për dorëzim”. I pyetur në konferencën për shtyp nga një gazetar nëse Ukraina duhet t’i lëshojë tokë Rusisë për t’i dhënë fund luftës, Trump nuk u përgjigj drejtpërdrejt. “Le të kemi pak paqe,” tha ai. “Ne kemi nevojë për paqe. Ne duhet të ndalojmë vdekjen dhe shkatërrimin.”

Takimi i së premtes vjen në mes të tensioneve midis Zelensky dhe partisë Republikane përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA. Disa republikanë u zemëruan nga vizita e Zelenskyt në një fabrikë armësh në qytetin e lindjes së Biden, Scranton, Pensilvani.

Vizita e Zelenskit në shtetin kyç u etiketua nga republikanët kryesorë si një ngjarje e fushatës. Në një letër publike, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Mike Johnson tha se vizita ishte “projektuar për të ndihmuar demokratët” dhe pretendoi se ajo përbënte “ndërhyrje në zgjedhje”. Trump dhe Zelensky kanë një marrëdhënie të ndërlikuar.

Në vitin 2019, Trump u fajësua nga Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së për akuzat se ai i bëri presion liderit të Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për një rival politik. Një transkript i përafërt i telefonatës zbuloi se Trump i kishte kërkuar Zelenskyt të hetonte Bidenin, si dhe djalin e Bidenit. Trump gjithashtu është bërë gjithnjë e më kritik ndaj financimit të vazhdueshëm të SHBA-së për Ukrainën, dhe ditët e fundit ka ashpërsuar sulmet e tij kundër Zelenskit, duke e quajtur atë “shitësin më të madh në Tokë”.

Zelensky kohët e fundit i tha revistës New Yorker se ai beson se Trump “nuk di vërtet se si ta ndalë luftën”. Kur u pyet për komentet e Zelenskyt të enjten, Trump u përgjigj: “Unë besoj se nuk jam dakord me të. Ai nuk më njeh”.bw

Studiuesja në SHBA jep alarmin e fortë: ‘Vuçiçi njësoj si Putini, po përgatit hakmarrje ndaj Kosovës’

“Ashtu siç Putini akuzoi Perëndimin për rënien e Bashkimit Sovjetik dhe kaloi jetën e tij duke u përgatitur për hakmarrjen e vitit 2022, Presidenti serb po përgatit hakmarrjen e tij për vitet ’90”.

Këtë skanim i bëri studiuesja e njohur që vepron në Shtetet e Bashkuara, Ivana Stradner, fjalimit të Aleksandër Vuçiç në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Ai po pret vetëm momentin e duhur gjeopolitik”, lëshon alarmin ekspertja e njohur e sigurisë. Ndërsa, studiuesi europian, Jakub Bielamowicz, vlerëson se presidenti serb shkoi plotësisht me një retorikë anti-perëndimore duke dënuan dominancën e kapitalizmit perëndimor.

“Ai fajësoi perëndimin për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rrëzimin e Jugosllavisë, gjithashtu dhe bombardimet e NATO-s të vitit 1999 që i hapën rrugën pavarësisë së Kosovës”, thekson eksperti evropian. sn

Skandal në SHBA- Gazetarja publikon foto nudo me pinjollin e familjes Kennedy

Një skandal seksual ka përfshirë sërish familjen Kennedy.

Gazetarja Olivia Nuzzi e revistës së njohur New York Magazine i ka dërguar foto thuajse nudo ish-kandidatit të sapo tërhequr presidencial Robert F. Kennedy Jr. Mediat thonin se Nuzzi dhe kandidati Kennedy kishin një marrëdhënie online romantike, dhe se 31-vjeçarja tërheqëse i kishte dërguar foto pinjollit të familjes së famshme Kennedy, që nga ana tjetër është i martuar.

Dyshja thuhet se kishin shkëmbyer shumë mesazhe pasi Nuzzi ishte njohur me 70-vjeçarin në një event në nëntor. Prej zhurmave të aferës, Nuzzi aktualisht është pezulluar nga puna.

Grupi i Kennedy thanë se ai është takuar personalisht vetëm një herë me Nuzzin në nëntor, por rrjeti Puck News shkruante se dyshja ishin takuar disa herë.

Në një tjetër deklaratë një zëdhënës i Kennedyt i quante deklaratat e marrëdhënies “të rreme”, duke përsëritur se ish-kandidati presidencial dhe Nuzzi ishin takuar vetëm një herë personalisht.

Edhe Nuzzi thotë se mes tyre nuk kishte një marrëdhënie fizike dhe se ajo nuk e kishte përdorur Kennedin si “burim informacioni”.

Kennedy, i biri i senatorit amerikan Robert F. Kennedy të vrarë në një aksident ajror, dhe nip i ish-presidentit President John F. Kennedy, të vrarë në atentat, akuzohet nga mediat se ishte në lidhje me Nuzzi, teksa ajo është e fejuar dhe ai vetë i martuar.

Kennedy është i martuar prej një dekade me aktoren Cheryl Hines, që u bë gruaja e tij e tretë.sn

Gaza dhe Ukraina në qendër të fjalimit të Presidentit Joe Biden në OKB

VOA/Anita Powell

Të martën Presidenti Joe Biden do të mbajë fjalimin e fundit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në cilësinë e presidentit amerikan.

Siç njofton Korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Nju Jorku, Anita Powell, në qendër të fjalimit të Presidentit Biden dhe të takimeveve të tij të tjera në Nju Jork me udhëheqës të vendeve të ndryshme të botës, do të jetë situata në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i veprimeve të tij në këtë konflikt.

Kjo është hera e fundit që Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet një forumi të madh ndërkombëtar: qindra udhëheqësve që mblidhen çdo vit për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Fjalimi i zotit Biden vjen në një moment kyç, thotë përfaqësuesja amerikane në OKB.

“E themi çdo vit, por kjo asamble nuk mund të përkonte në një moment më kritik dhe sfidues. Lista e krizave dhe konflikteve që kërkojnë vëmendje dhe veprim duket se po rritet vazhdimisht”, thotë Linda Thomas-Greenfield, Ambasadore e SHBA-së në OKB.

Në krye të kësaj liste është situata në Gazë. Në këtë çështje, qëndrimi amerikan nuk është në të njëjtën linjë me pjesën tjetër të asamblesë, e cila javën e kaluar miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që i kërkonte Izraelit t’i japë fund pushtimit të territoreve palestineze brenda 12 muajve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara ishin në mesin e 14 votave “kundër”, të cilat zonja Thomas-Greenfield thotë se ishin në përputhje me qëndrimin e Uashingtonit kundër “masave të njëanshme që pengojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”.

Analistët presin nga Presidenti Biden të flasë për mbështetjen e tij për Izraelin dhe Ukrainën. Sipas njohësve, këto dy konflikte janë dy sfidat më të mëdha të zotit Biden, ndërsa ai përfundon mandatin e tij.

“Me Lindjen e Mesme dhe shpresat për parandalimin e zgjerimit të konfliktit në një luftë rajonale, të gjithë mund të supozojnë mbi atë se çfarë do të ndodhë”, thotë Jim Kessler nga organizata ‘Third Way’.

Një gjë është e qartë: ndërsa konflikti i afrohet kufirit të një viti, rreth 100 persona po vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi. Shtëpia e Bardhë thotë se kthimi i tyre në shtëpi është përparësia kryesore dhe shtylla e një marrëveshjeje për të ndalur luftimet mes Izraelit dhe grupit militant.

Eksperti Kessler thotë se shumë udhëheqës do ta presin ngrohtë fjalimin e fundit të Presidentit Biden, pasi ai ka shfrytëzuar mandatin e tij për të rindërtuar aleancat dhe për të rivendosur normat globale.

“Ka shumë simpati për të në shumicën e vendeve. Sigurisht, ka disa vende që nuk e pëlqejnë”, thotë zoti Kessler.

Presidenti Biden flet në Nju Jork të martën.

Kush është burri që dyshohet se u përpoq të vriste Trumpin?

Aleksander Palikot, Mike Eckel

Në muajt e parë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Ryan Wesley Routh ishte shpesh në Kiev. Fliste me kalimtarë në rrugën e famshme të qytetit “Khreschatyk”, iu drejtohej atyre në anglisht, shkëmbente numrat e telefonit dhe kërkonte ndihmë për të mbështetur forcat e armatosura të Ukrainës.

Ai shihej nga vullnetarët që shkonin në Kiev si një lloj nuske për ushtrinë e Ukrainës, thotë Christian Lutz, një gjerman që drejton një organizatë ndihme të quajtur Phoenix dhe që u takua me Routhin disa herë në vitin 2022.

“Burri rekrutues me një flamur amerikan rreth qafës së tij – kështu i referoheshin të gjithë”, thotë Lutz për Radion Evropa e Lirë.

“Ai dukej se ishte një ujk i vetmuar. Nuk kishte kolegë apo miq me vete”, shton ai.

Routh, 58 vjeç, tani dyshohet për përpjekje të mundshme për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, tani kandidat i Partisë Republikane për president.

Routh u arrestua nga policia në Floridë më 15 shtator, pasi agjentët e Shërbimit Sekret e panë duke drejtuar një pushkë në drejtim të Trumpit, derisa ai luante golf në një klub në Uest Pallm Biç.

Routh u arrestua pasi u largua nga vendi i ngjarjes dhe agjentët gjetën një pushkë “AK-47”, së bashku me dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro në vendin e ngjarjes, u tha gazetarëve sherifi i Qarkut Pallm Biç, Ric Bradshaw.

Ndërkohë që nuk ka ende prova që i lidhin përpjekjet e Routhit në Ukrainë me incidentin në Floridë, arrestimi i tij ka habitur njerëzit që i kanë kryqëzuar rrugët me të në Ukrainë.

“Çfarë është duke ndodhur? Kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, tha Lutz kur dëgjoi lajmin për arrestimin e Routhit.

Disa nga njësitë luftarake vullnetare më të njohura në Ukrainë u distancuan shpejt nga Routhi, duke lëshuar deklarata që i mohonin të gjitha lidhjet me të.

“Routh nuk ka shërbyer kurrë në Legjionin Ndërkombëtar të Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë. Ai nuk ka asnjë lidhje me njësinë”, tha Legjioni Ndërkombëtar – një njësi e përbërë nga vullnetarë të huaj – në një postim në Telegram.

“Thashethemet që qarkullojnë në media të caktuara, nuk janë të vërteta”, tha grupi.

Në prill të vitit 2022, Routh u shfaq në një tubim në Kiev në mbështetje të batalionit Azov – një njësi ushtarake e diskutueshme, por e nderuar nga shumë në Ukrainë për aftësitë e saj luftarake.

Pas disa javësh qëndrese në qytetin port të Mariupolit kundër rrethimit rus, anëtarët e batalionit u dorëzuan dhe shumë prej tyre u zunë robër nga Rusia. Familjarët, ndërkohë, organizuan mitingje, në përpjekje për të bërë presion për lirimin e të afërmve të tyre.

Sipas një videoje të Associated Press nga vendi i ngjarjes, Routh u pa i veshur me një jelek blu, me një flamur të SHBA-së në shpinë dhe me një pankartë ku shkruante: “Ne nuk mund të tolerojmë korrupsionin dhe të keqen edhe për 50+ vjet të tjerë. Jepni fund Rusisë për fëmijët tanë”.

Routh u shfaq edhe në një video të publikuar në maj të vitit 2022 nga një llogari në Twitter, e drejtuar nga të afërmit e anëtarëve të Azovit.

“Duam të deklarojmë zyrtarisht se Ryan Wesley Routh nuk ka asnjë lidhje me Azovin dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me Azovin”, tha grupi në një postim në X më 16 shtator.

“Demonstrata paqësore në të cilën mori pjesë ai, ishte e hapur dhe çdokush mund t’i bashkohej. Ai u kap rastësisht në videon e filmuar nga protestuesit”, u tha në atë postim.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë me telefon nga Gjermania, Lutz thotë se është takuar me Routhin në udhëtimin e tij të parë në Kiev, në qershor të vitit 2022.

“Dukej shumë komunikues, ekstrovert dhe i përqendruar në detyrën e tij për t’i futur të huajt në ushtrinë ukrainase”, thotë Lutz.

“Njëherë po udhëtonim nëpër Kiev, kur ai doli me idenë për të kërkuar një fabrikë për ndërtimin e dronëve, një fabrikë për prodhimin e dronëve”, thotë ai.

Lutz tregon se, më vonë, e bllokoi atë në mediat sociale, sepse, siç thotë, ai po e bombardonte me mesazhe.

Këmbëngulja dhe prania publike i sollën Routhit vëmendjen e disa gazetarëve, përfshirë ata të revistës Newsweek, e cila botoi një intervistë të shkurtër me të në publikimin rumun.

“Ky konflikt është padyshim bardh e zi. Kjo ka të bëjë me të mirën kundër së keqes”, citohet të ketë thënë ai.

Sipas gazetës Greensboro News & Record, një burrë që gazeta e identifikoi si Routh dhe që kishte të njëjtën moshë, u arrestua nga policia në vitin 2002, pasi u barrikadua brenda një ndërtese me një armë automatike.

Ai më vonë u transferua nga Karolina e Veriut në Havaje, sipas disa raporteve në SHBA.

Llogaritë e tij në mediat sociale, X dhe Facebook, janë mbyllur që nga 16 shtatori, por postimet e arkivuara tregojnë për një përzierje interesash për politikën e SHBA-së, si dhe për luftën në Ukrainë.

Në një seri postimesh në X në vitin 2023, Routh pretendonte se po rekrutonte ushtarë afganë që ishin të gatshëm të shërbenin në Tajvan ose Haiti.

Në rrjetin LinkedIn, një profil nën emrin e Routhit përputhet me shumë nga detajet e tij biografike dhe aty thuhet se ai është i vetëpunësuar në një kompani në Havaje, e quajtur Camp Box Honolulu.

Në një postim në mars të vitit 2023, i njëjti profil në LinkedIn nxori dy fotografi, pa datë. Në njërën duket Routh përpara ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington dhe në tjetrën ai është në Sheshin e Pavarësisë në Kiev. Fotografitë mbajnë mbishkrimin: “Në DC dhe në Kiev për të siguruar ushtarë për luftë”.

Routh, gjithashtu, duket se ka botuar vetë një libër në Amazon, të quajtur “Lufta e pafitueshme e Ukrainës” – një gjetje kjo e raportuar për herë të parë nga Associated Press.

Në hyrjen e botuar në ueb-faqen e Amazonit, ku libri mbetet në shitje, Routh shkroi se përse ai mendon se mbrojtja e Ukrainës është e rëndësishme.

“Unë supozoj se duhet të jem i qartë, se në rrugën aktuale Ukraina nuk do të fitojë, dhe është e domosdoshme për botën që ajo të fitojë. Kjo është arsyeja përse ky libër është aq i rëndësishëm, që të gjithë ne të kuptojmë se humbja nuk është opsion dhe çfarë duhet të bëjmë për të fituar”, shkroi Routh.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Atentati i dytë ndaj Trump, Kamala Harris thyen heshtjen: Jam e lumtur që është mirë

Kamala Harris ka thyer heshtjen e saj pas të shtënave me arnë zjarri që u dëgjuan pranë fushës së golfit ku ndodhej dje Donald Trump. Ish-presidenti u sigurua nga agjentët e Shërbimit Sekret pasi të shtënat në Florida shënuan atentatin e dytë ndaj ish-presidentit në më pak se dy muaj.

Zëvendëspresidentja e cila do të përballet me kandidatin e republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit tha se ishte e lehtësuar që askush nuk u lëndua në tentativën e fundit për të vrarë rivalin e saj.

“Jam informuar për raportet e të shtëna me armë zjarri pranë ish-presidentit Trump dhe pronës së tij në Florida, dhe jam e lumtur që ai është i sigurt”, shkroi ajo në X. “Dhuna nuk ka vend në Amerikë”, shkroi Harris.

Shërbimi Sekret raportohet se ka qëlluar kundër personit të armatosur dhe një i dyshuar u kap më vonë në atë që zyrtarët besojnë se ishte një përpjekje për të vrarë ish-presidentin. “Presidenti Trump është i sigurt pas të shtëna me armë zjarri në afërsi të tij”, tha në një deklaratë drejtori i komunikimit të fushatës Trump, Steven Cheung. bw

FBI: Ish Presidenti Trump është i sigurt pas atentatit të dytë

VOA/Anita Powell

Ish Presidenti Donald Trump është i sigurt pas asaj që zyrtarët thonë se ishte atentati i dytë, i pasuksesshëm në dy muaj ndaj tij. FBI mori përsipër çështjen pas të shtënave të së dielës ndërsa siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell i dyshuari po mbahet në paraburgim. Kjo përpjekje e dytë vetëm sa shton zhvillimet dramatike që po përjetojnë amerikanët në këtë fushatë zgjedhore.

Për herë të dytë në nëntë javë, ish-Presidenti Donald Trump i shpëtoi një atentati të mundshëm. Sipas Byrosë Federale të Hetimit (FBI), rasti i fundit ndodhi të dielën pasdite, në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridas.

Ndryshe nga hera e parë, kjo nuk ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë, siç ndodhën të shtënat të cilave zoti Trump u mbijetoi më 13 korrik. Atëherë zoti Trump u plagos në vesh, ndërsa një pjesëmarrës në tubimin zgjedhor të tij u vra.

Ditë më vonë, zoti Trump mori emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president.

Zyrtarët të dielën thanë se ish Presidenti nuk ishte lënduar.

FBI, e cila drejton hetimin, thotë se “duket të jetë një përpjekje për atentat”.

Drejtuesi i policisë lokale tha se i dyshuari u largua, duke lënë pas një ‘pushkë të stilit AK-47’, një kamera të llojit ‘GoPro’ dhe dy çanta. Policia më vonë e kapi atë teksa po kalonte me shpejtësi përgjatë autostradës kryesore duke shkuar drejt qarkut fqinj.

“Agjenti i Shërbimit Sekret që ishte afër bëri një punë fantastike. Ai arriti të dallojë tytën e pushkës që shihej përtej shkurres ku qëndronte i dyshuari dhe oficeri reagoi menjëherë duke qëlluar. Në atë kohë ai individ iku menjëherë”, thotë Rick Bradshaw, drejtues i policisë në Palm Beach.

Në një deklaratë të përbashkët më pak se një orë pasi ekipi i ish Presidentit njoftoi për tentativën e dytë kundër zotit Trump, Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris thanë se po informoheshin rregullisht për rastin. Të dy thanë se ndjehen ‘të lehtësuar’ që zoti Trump është i sigurt.

“Presidenti dhe Nënpresidentja janë informuar për incidentin në fushën e golfit, ku ish-presidenti ishte duke luajtur golf. Ata ndjehen të lehtësuar që kanë marrë vesh se ai është i sigurt”, thuhet në këtë deklaratë.

Policia njoftoi se i dyshuari ishte “midis 275 dhe 450 metrash” nga zoti Trump, i fshehur në shkurre.

Ndërsa kjo nxit pyetjet se si kjo do të shtojë pasiguri të mëtejshme në një fushatë zgjedhore tashmë të trazuar, këto shifra nënvizojnë një fakt të tmerrshëm ndërsa Amerika po shkon drejt zgjedhjeve të nëntorit:

Atë që një person i armatosur me një armë të llojit AK-47 arriti t’i afrohej kaq shumë ish-presidentit.

Çfarë dihet për sulmin e dyshuar ndaj Trumpit

 Nëse konfirmohet, do të ishte sulmi i dytë kundër ish-presidentit amerikan, pas atij që ndodhi më 13 korrik në Pensilvani.

VOAL-  FBI po heton atë që duket të jetë një “tentativë për vrasje” kundër Donald Trumpit. Dje, të dielën, pati një të shtenë jo shumë larg fushave të Klubit Ndërkombëtar të Golfit Trump  (Trump International Golf Club) në West Palm Beach (Florida), pak larg nga rezidenca Mar-a-Lago. Donald Trump ishte i padëmtuar.

Sipas rindërtimeve fillestare të siguruara nga autoritetet, një burrë ia drejtoi pushkën ish-presidentit të SHBA përmes gardhit të pronës në një distancë prej rreth 350 metrash. Agjentët e shërbimit sekret kanë vënë re tytën e armës dhe kanë hapur zjarr. Më pas, pronari i dyshuar i armës u largua me një makinë e cila u kap pak më pas. Personi i arrestuar quhet Ryan Wesley Routh. Ai është 58 vjeç, banues në Hawaii dhe ka precedentë të shumtë penalë. Në të kaluarën ai do të kishte shprehur qëndrime kritike ndaj Trumpit dhe do të kishte mbështetur kauzën ukrainase.

Një pushkë AK 47, dy çanta shpine me municion dhe një videokamerë GoPro janë gjetur në vendin ku dyshohet se ka ndodhur sulmi. Dy muaj më parë, më 13 korrik, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë ishte viktimë e një sulmi gjatë një mitingu në Butler të Pensilvanisë, duke pësuar një lëndim në vesh. Të dy- presidenti Joe Biden dhe Kamala Harris, kandidatja demokrate për president, dënuan menjëherë atë që ndodhi. ATS/RSI

Nga situata ekonomike te leja për armët, Harris jep intervistën e parë si kandidate e demokratëve për President!

Kamala Harris, ka realizuar intervistën e parë vetëm në kuadër të fushatës së saj në Shtëpinë e Bardhë, që kur mori stafetën si kandidate presidenciale e demokratëve gati dy muaj më parë.

 

Zëvendëspresidentja e  SHBA u ul me një stacion lokal të ABC Neës në Pensilvani për të diskutuar mbi ekonominë, cenueshmërinë politike dhe kontrollin e armëve.

Duke reaguar ndaj intervistës, rivali i saj republikan, Donald Trump, tha se ajo “e kishte shumë të vështirë t’i përgjigjej pyetjeve më të thjeshta”.

Sipas sondazheve të opinionit, Harris dhe Trump janë në një garë të ashpër në Pensilvani dhe shtete të tjera të fushëbetejës përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Gjatë intervistës 11-minutëshe, Harris u pyet se si do të ulte çmimet për amerikanët. Inflacioni ka rënë që kur u rrit në fillim të administratës Biden në nivelin më të lartë të 40 viteve, edhe pse papunësia ra në nivelet më të ulëta historike.

Ajo tha se do t’u jepte pronarëve të bizneseve të vogla një zbritje tatimore prej 50,000 dollarësh për të filluar ndërmarrjet e tyre dhe një pagesë prej 25,000 dollarësh për blerësit për herë të parë. Etiketa e çmimit për planin dhe kush mund të kualifikohet, janë të paqarta, shkruan BBC.

Muajin e kaluar, Harris propozoi “ndalimin e parë federal për rritjen e çmimeve të ushqimit”, por ajo nuk e përmendi këtë ide në intervistën e së premtes. Ajo kishte provokuar një reagim të ashpër nga ekonomistët dhe grupet e biznesit, dhe Trump e krahasoi atë me kontrollet e çmimeve të stilit sovjetik.

Harris tha gjithashtu gjatë intervistës se ajo mbështet të drejtat kushtetuese të armëve, por dëshiron që armët gjysmë automatike të ndalohen.

“Është në përputhje me Amendamentin e Dytë dhe të drejtën tuaj për të zotëruar një armë, por duhet të thënë gjithashtu se ne kemi nevojë për një ndalim të armëve sulmuese,” tha ajo. “Ato janë fjalë për fjalë mjete lufte.”

Harris vazhdoi të ngrejë një lëkundje ndaj Trump, duke thënë se populli amerikan kishte nevojë për dikë që do ta bashkonte vendin, ndryshe nga rivali i saj.

Ajo u pyet gjithashtu se nga ndryshonte nga presidenti aktual i SHBA, i cili pezulloi fushatën e tij më 21 korrik dhe e mbështeti atë. Harris përsëriti një rresht nga debati, duke thënë se ajo ” nuk është Joe Biden”.

Ajo tha gjithashtu se do të “ofrojë një brez të ri lidershipi”.

Trump postoi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social të shtunën në mëngjes një komënt ku thoshte se intervista ishte “një sallatë botërore, një rrëmujë e vërtetë!”

Fushata e Harris u rrit këtë javë kur sondazhet sugjeruan se ajo fitoi debatin e saj të parë të martën me Trump. Republikani ka thënë që atëherë se nuk do të debatojë më me të, duke pretenduar se ai ishte fituesi.

Mes thirrjeve që ajo të dilte më shumë në media, Harris muajin e kaluar u ul në CNN për intervistën e saj të parë që kur u bë kandidate, së bashku me kandidatin e saj Tim Walz. Panorama

Takimi Biden-Starmer, i përqendruar tek Ukraina

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden shpërfilli një kërcënim nga udhëheqësi rus Vladimir Putin për luftë me Perëndimin nëse aleatët e Ukrainës lejojnë që ajo të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi në thellësi të Rusisë.

Është një kërkesë që Kievi po e bën me këmbëngulje, por megjithëse kjo çështje pritej të ishte një nga temat kryesore të një takimi të premten midis zotit Biden dhe kryeministrit të Britanisë Keith Starmer në Uashington, nuk pati njoftim për ndonjë vendim pas tij.

Ukraina dhe shumë prej mbështetësve të saj në SHBA dhe Evropë duan që zoti Biden të heqë kufizimet për armët me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi dhe ka shenja që Presidenti Biden mund ta ndryshojë politikën e administratës në këtë drejtim.

Shtetet e Bashkuara, të shqetësuara për çdo hap që mund të përshkallëzojë konfliktin, janë treguar të matura më parë para se t’u përgjigjeshin kërkesave të Ukrainës për armë të caktuara, përfshirë tanke të avancuara, raketa dhe sisteme raketash dhe avionë luftarakë F-16.

Zyrtarët rusë kanë bërë kërcënime të ngjashme përpara atyre vendimeve të mëparshme. Ukraina ishte temë kryesore për zotin Biden dhe kryeministrin britanik Starmer pas vizitës këtë javë në Kiev nga kryediplomatët e tyre.

Deri tani, SHBA e ka lejuar Ukrainën të përdorë armë të dërguara nga Amerika vetëm në një zonë të kufizuar brenda kufirit të Rusisë me Ukrainën.

Zoti Starmer tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë kur udhëheqësit globalë të mblidhen për mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.

“Ukraina ka të drejtën për vetëmbrojtje dhe ne jemi të bashkuar”, u tha ai gazetarëve pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Putin tha një ditë më parë se autorizimi i sulmeve me rreze të gjatë veprimi “do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, janë në luftë me Rusinë”.

Duke folur me gazetarët para bisedimeve me zotin Starmer, Presidenti Biden tha se donte ta bënte të qartë se Presidenti Putin nuk do ta fitojë luftën.

I pyetur se çfarë mendonte për kërcënimet e presidentit rus, zoti Biden u përgjigj: “Nuk mendoj shumë për Vladimir Putinin”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u ka bërë trysni udhëheqësve ushtarakë amerikanë dhe aleatëve që të shkojnë shumë më tej. Ai argumenton se Shtetet e Bashkuara duhet t’i lejojnë Ukrainës të godasë bazat ajrore ruse nga ku fillohen sulmet pranë kufirit, pasi Rusia ka shtuar sulmet ndaj rrjetit energjitik të Ukrainës dhe shërbimeve, ndërsa po afron stina e dimrit.”

Gjatë një takimi të ministrave të mbrojtjes të vendeve aleate javën e kaluar, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se nuk besonte se furnizimi i Ukrainës me sisteme të armëve me rreze të gjatë veprimi do të arrinte një ndryshim domethënës në këtë luftë të zgjatur. Ai vuri në dukje se Ukraina tashmë ka qenë në gjendje të godasë brenda Rusisë me sistemet e prodhuara vetë brenda vendit, përfshirë dronët.

“Nuk besoj se një aftësi e caktuar do të jetë vendimtare, dhe unë i qëndroj këtij komenti”, tha Sekretari Austin.

Kosova ngriti aktakuzën për sulmin në Banjskë, reagon DASH: Të respektohet procesi gjyqësor!

Shtetet e Bashkuara tha se inkurajojnë respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit, pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit të Banjskë të Zveçanit.

“Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë për respektimin e procesit gjyqësor dhe të sundimit të ligjit dhe për durim, teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-ja vazhdon të mbështesë fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë”, tha një zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Nga DASH-i thanë se presin që Serbia të kërkojë përgjegjësi të plotë për personat e përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në veri të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.


Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për këtë sulm.
Kosova e konsideron këtë sulm si terrorist, ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ai, në aktakuzë, cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga BE-ja thanë se përgjegjësit duhet të përballen me pasoja, pasi gjyqësori i Kosovës të shpallë aktvendimin ndaj tyre, teksa zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, tha se Brukseli vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që të përfshirët në këtë sulm të dalin para drejtësisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.

Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.

“Por, nuk dua të zgjerohem më tej dhe të shpjegoj përsëri se kush është fajtor për këtë dhe kush e solli këtë gjendje”, tha Vuçiq gjatë një adresimi.
Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq./REL

Aktakuza për sulmin e Banjskës, ambasadori i SHBA në Beograd: Agresorët duhet të mbahen përgjegjës!

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës.

Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave, përfshirë edhe ndaj Millan Radoiçiqit, duke i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist.

Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.

Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërkaq në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, gjatë një konference në Prishtinë nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të udhëheqjes së Serbisë në sulm – gjë që, më herët, është potencuar vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse ajo vetë e ka mohuar.

Sa i përket raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Hill tha se të gjitha përpjekjet duhet të përqendrohen në dialog sepse, sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur problemet. Hill tha se këtë qëndrim e ka shprehur edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës që ai zhvilloi në Serbi më 10 shtator.

Pas takimit me Hillin dhe Lajçakun, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të paraqesë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve brutale dhe substanciale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Ai nuk specifikoi se për çfarë sulmesh bëhej fjalë.

Vuçiq tha se në 72 orët e ardhshme ai do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Mirosllav Lajçak, ndërkaq, ka deklaruar se gjatë takimit, Vuçiq ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me situatën e serbëve në Kosovë.

“Theksova se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduara në dialog”, shkroi në X emisari evropian.

Lajçak qëndroi në Beograd, por edhe një më parë edhe në Prishtinë, për të përgatitur rundin e ri të dialogut për normalizimin e raporteve. Pas vizitës në Prishtinë, ai deklaroi se është rënë dakord për një takim në nivel kryenegociatorësh, por nuk dha ndonjë datë për një takim në Bruksel. bw

67.1 milionë shikues ndoqën debatin Harris-Trump

VOA/Marrë nga Associated Press

Rreth 67.1 milionë njerëz ndoqën debatin presidencial midis demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, një rritje e theksuar e shikueshmërisë nga debati i qershorit që përfundimisht çoi në tërheqjen nga gara të Presidentit Joe Biden.

Debati u zhvillua nën kujdesin e kanalit televiziv ABC News, por u transmetua nga 17 rrjete të ndryshme, sipas kompanisë Nielsen. Debati i qershorit mes Presidentit Biden dhe kandidatit Trump u ndoq nga 51.3 milionë shikues.

Audienca e së martës është larg shifrës rekord prej 84 milionë shikuesish, në vitin 2016, gjatë debatit të parë presidencial ndërmjet demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump. Në vitin 2020, debati i parë mes Presidentit Trump dhe kandidatit demokrat për president, Joe Biden, tërhoqi 73.1 milionë njerëz.

Sipas mendimit të analistëve, zonja Harris duket se fitoi më shumë pikë në debatin e parë me rivalin Trump. Ish presidenti dhe mbështetësit e tij kanë shprehur kritika të ashpra ndaj dy moderatorëve të debatit, David Muir dhe Linsey Davis. Dy gazetarët e rrjetit ABC korrigjuan katër herë deklaratat e zotit Trump.

Aktualisht nuk janë planifikuar debate të tjera mes dy kandidatëve presidencialë, megjithëse ka pasur zëra dhe rrjeti “Fox News Channel” ka ofruar publikisht alternativa. Kanali CBS do të organizojë një debat mes kandidatëve për postin e nënpresidentit, ku demokrati Tim Walz do të përballet me republikanin JD Vance.

Kamala Harris merr mbështetjen e 88 drejtuesve të korporatave të mëdha amerikane! Donald Trump fiton përkrahjen e organizatës më të madhe të policisë

Tetëdhjetë e tetë drejtues aktualë dhe ish-drejtues të lartë të korporatave nga e gjithë Amerika kanë treguar mbështetjen për zëvendëspresidenten Kamala Harris në garën për presidente në një letër që është publikuar nga CNBC.

 

Bëhet e ditur se mes nënshkruesve janë disa CEO të profilit të lartë të kompanive publike, duke përfshirë Aaron Levie nga Box, Jeremy Stoppelman i Yelp dhe Michael Lynton nga Snap.

Nënshkruesit e tjerë që kanë mbështetur Harrisin që kur ajo u bë kandidatja demokrate në korrik përfshijnë James Murdoch, ish-CEO i 21st Century Fox dhe një trashëgimtar i perandorisë mediatike të familjes Murdoch, dhe ekzekutivin e kriptove Chris Larsen, bashkëthemelues i platformës blockchain Ripple.

Nënshkrues të tjerë të shquar janë filantropisti Lynn Forester de Rothschild, miliarderi i kapitalit privat José Feliciano, bashkëthemeluesi i Twilio, Jeff Lawson, dhe Ted Leonsis nga DC, pronar i NBA’s Washington Wizards, WNBA’s Mystics dhe Washington Capital’s’s NHL’s.

Lista prej tre faqesh përfshin gjithashtu një listë donatorësh politikë demokratë për një kohë të gjatë, si John Doerr i Kleiner Perkins, partnerët e Insight Deven Parekh dhe Jeffrey Katzenberg, themelues dhe partner menaxhues i Wndr dhe ish-kryetar i Walt Disney Studios.

Një nëngrup tjetër emrash janë njerëz që e kanë mbështetur Harrisin në veçanti që nga fushatat e saj politike në Kaliforni, si filantropistja Laurene Powell Jobs, bashkë-themeluesi i Facebook, Dustin Moskovitz dhe biznesmeni i NBA Hall of Famer dhe miliarderi Magic Johnson.

Pjesa më e madhe e 88 nënshkruesve që miratuan Harrisin janë ish-drejtorë ekzekutivë të kompanive të mëdha publike.

Ata përfshijnë ish-PepsiCo CEO Indra Nooyi, Barry Diller, kryetar i IAC dhe ish-Paramount dhe CEO i Fox Inc., ish MerckCEO Ken Frazier, Logan Green ish-CEO i Lyft, ish-GoDaddy CEO Blake Irving, ish Ford CEO Alan Mulally, ish-Starbucks CEO Laxman Narasimhan dhe Dan Schulman, ish-CEO i PayPal.

Duke marrë parasysh sa e gjatë është lista e emrave, vetë letra e miratimit është relativisht e shkurtër.

“Mënyra më e mirë për të mbështetur forcën e vazhdueshme, sigurinë dhe besueshmërinë e demokracisë dhe ekonomisë sonë është zgjedhja e presidentes Harris”, thotë letra.

Ata gjithashtu argumentojnë se Harris do të “vazhdonte të avanconte politika të drejta dhe të parashikueshme që mbështesin sundimin e ligjit, stabilitetin dhe një mjedis të shëndoshë biznesi” nëse ajo do të zgjedhej presidente.

Por, vetë letra nuk është shkruar për të bindur publikun e gjerë të votojë për Harrisin.

Në vend të kësaj, qëllimi i saj është të shërbejë si një shfaqje politike e mirëfilltë e forcës për Harrisin, e cila ndodhet në një garë shumë të ngushtë me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Si Harris ashtu edhe Trump e kanë kaluar javën duke shpalosur vizionet e tyre ekonomike në duel, përpara debatit të 10 shtatorit, të organizuar nga ABC.

Trump ka fituar mbështetje nga një numër mbështetësish të shquar të Wall Street dhe sektorit privat, duke përfshirë CEO të Cantor Fitzgerald, Howard Lutnick dhe Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX.

Shkrimi i letrës mund të ketë nisur nga katër mbështetësit kryesorë të Harrisit: Roger Altman, kryetar i Evercore, Blair Effron, bashkëthemelues i Centerview Partners, American Express CEO Ken Chenault dhe Ursula Burns, ish-CEO e Xerox.

Altman, Effron, Chenault dhe Burns organizuan përpjekjen dhe më pas sollën letrën në fushatën presidenciale të Harrisit si një mënyrë për të shfaqur mbështetjen e zëvendëspresidentes brenda komunitetit të biznesit.

Ndërkohë organizata më e madhe e policisë në vend mbështet Trumpin.

Para udhëtimit të ish-presidentit në Karolinën e Veriut, Urdhri Vëllazëror i Policisë lëshoi ​​deklaratën e mbështetjes:

“Në çdo cikël zgjedhor, FOP i kushton vëmendje të madhe se cila fushatë presidenciale nxjerr në pah çështjet më jetike për burrat dhe gratë e FOP, duke përfshirë sfidat me të cilat përballen oficerët e rendit dhe të zbatimit të ligjit, çështjet reale të sigurisë publike, dhe problemet në sistemin tonë të drejtësisë penal.  FOP Kombëtare mbështeti Donald Trumpin në vitin 2016 dhe 2020. Ai e udhëhoqi vendin tonë në disa periudha shumë të vështira. Ai i dha kombit tonë udhëheqje të fortë dhe efektive gjatë mandatit të tij të parë dhe tani që ai po kërkon zgjedhje për një mandat të dytë, ne synojmë ta ndihmojmë atë ta fitojë atë” panorama

Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj Trumpit deri pas zgjedhjeve

Shpallja e aktgjykimit kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në rastin penal për blerjen e heshtjes, është shtyrë deri pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Gjykatësi Juan Merchan tha të premten se e ka shtyrë shqiptimin e dënimit deri më 26 nëntor, ndër të tjera, për shkak të “kornizës së veçantë kohore në të cilën kjo çështje gjen veten”.

Avokatët e Trumpit, kandidatit republikan për president, kanë përdorur disa manovra ligjore për ta shtyrë shpalljen e aktvendimit, i cili ishte paraparë për 18 shtator.

Trumpi u shpall fajtor në maj nga një gjykatë në Nju Jork për të gjitha 34 akuzat me të cilat përballej për falsifikimin e regjistrave biznesore të kompanisë, duke u bërë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Në vendimin e tij të premten, gjykatësi Merchan shkroi se rasti i Trumpit kërkon “që seanca për shqiptimin e dënimit të jetë plotësisht e përqendruar në aktgjykimin e jurisë”.

Trump mund të dënohet deri me katër vjet burgim, por gjykatësi Merchan e ka pushtetin për ta dënuar atë edhe me gjobë, dënim me kusht, apo dënim të shkurtër me burgim.

Ai e ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë dhe e ka cilësuar gjykimin ndaj tij si të “turpshëm”.

Trumpi u shpall fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan. REL

Hunter Biden pranon fajësinë mbi akuzat për evazion fiskal

VOA/Marrë nga Associated Press

Hunter Biden pranoi fajësinë për akuzat për mospagim taksash, për të shmangur një tjetër gjyq, disa muaj pasi u shpall fajtor në një tjetër proces nën akuzat për shkelje të ligjit të armëmbajtjes.

Djali i Presidentit Biden pranoi fajësinë disa orë para se të niste zgjedhja e jurisë që supozohej të shqyrtonte rastin në ngarkim të tij mbi akuza federale për një skemë katërvjeçare për të shmangur pagimin e të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa.

Ky proces zhvillohet në Los Anxhelos. Hunter Biden përballet me akuza federale për një skemë katërvjeçare për të shmangur pagimin e të paktën 1.4 milionë dollarëve në taksa, ndërkohë që ai paguhej miliona dollarë nga biznese të huaja.
Ai ishte në sallën e gjyqit me bashkëshorten e tij, Melissa Cohen Biden dhe i rrethuar nga agjentë të Shërbimit Sekret.

Zoti Biden u shpreh “fajtor” kur gjykatësi lexoi të 9 akuzat. Masa e dënimit është caktuar të jepet në 16 dhjetor. Gjykatësi Mark Scarsi tha se ai rrezikon deri në 17 vjet burg dhe një gjobë deri në 450 mijë dollarë.

Hunter Biden tashmë po përballet me burgim të mundshëm pasi një juri në shtetin Delauer e shpalli fajtor nën akuzat se ai kishte gënjyer në një formular federal të vitit 2018 për blerjen e një arme, që ai e mbajti për 11 ditë.

Fillimisht, ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për evazion fiskal nga viti 2016 deri në 2019 dhe avokatët e tij kishin thënë se do të argumentonin se ai nuk ka vepruar “me dashje” ose me qëllim për të shkelur ligjin, pjesërisht për shkak të varësisë nga droga dhe alkooli.

Vitin e kaluar dështoi një marrëveshje paragjyqësore e Hunter Bidenit me prokurorët, sipas së cilës, ai binte dakord të pranonte fajësinë për shmangie të pagimit të taksave, dhe Departamenti i Drejtësisë, në shkëmbim, nuk do ngrinte akuzën për armëmbajtje pa leje. Marrëveshja nuk u pranua nga gjykatësi, që vuri në dyshim disa aspekte të pazakonta të saj.

Vendimi i tij për të ndryshuar deklarimin mbi çështjen e evazionit fiskal, erdhi pasi gjykatësi lëshoi disa vendime të pafavorshme paraprake për mbrojtjen, duke përfshirë refuzimin e dëshmisë nga një ekspert i mbrojtjes mbi varësinë nga droga dhe alkooli.

Gjykatësi Mark Scarsi, i cili u emërua nga ish-presidenti Donald Trump, vendosi disa kufizime mbi atë që anëtarët e jurisë do të lejoheshin të dëgjonin për ngjarjet traumatike që familja, miqtë dhe avokatët e Hunter Biden-it thonë se çuan në varësinë e tij nga droga.

Gjykatësi i ndaloi avokatët të lidhnin varësinë e tij nga drogat me vdekjen e vëllait të tij Beau Biden në vitin 2015 nga kanceri, ose me aksidentin me makinë që i mori jetën nënës dhe motrës së tij, kur ai ishte i vogël.

Aktakuza pretendonte se zoti Hunter Biden bënte jetë luksoze duke shkelur ligjin e taksave, duke shpenzuar paratë e tij për të qëndruar në hotele luksoze dhe gjëra të tjera, “me pak fjalë, për gjithçka tjetër veç pagimit të taksave”.

Avokatët e djalit të Presidentit Biden i kishin kërkuar gjyqtarit Scarsi që të mos lejonte prokurorët të nxjerrin në pah detaje të shpenzimeve të tij, duke përfshirë pagesat e bëra për faqe interneti me përmbajtje pornografike. Kjo sipas tyre do të shkatërronte imazhin e tij. Gjykatësi, përmes dokumenteve të gjykatës, njotoi se ai do t’i nën mbajë “kontroll të rreptë” paraqitjen e provave potencialisht të dëmshme.

Nëse do të lejoheshin, prokurorët mund të kishin paraqitur më shumë detaje të marrëveshjeve të zotit Hunter Biden jashtë shtetit. Këto marrëveshje kanë qenë në qendër të hetimeve republikane për familjen Biden. Republikanët shpesh, pa ofruar dëshmi, bëjnë përpjekje t’i lidhin këto marrëveshje me presidentin, duke e akuzuar familjen Biden për një skemë të dyshuar të shitjes së ndikimit në politikën amerikane.

Ekipi i prokurorit të posaçëm ka thënë se dëshiron t’u tregojë anëtarëve të jurisë për punën e zotit Hunter Biden për një biznesmen rumun, i cili sipas tyre, u përpoq të “ndikonte në politikën e qeverisë së Shteteve të Bashkuara” ndërsa babai i tij Joe Biden ishte nënpresident.

Mbrojtja thotë se prokurorët i publikuan detajet në lidhje me punën e Hunter Biden-it për rumunin para fillimit të gjyqit për të nxitur mbulimin mediatik dhe për të ndikuar tek anëtarët e jurisë.

Dhënia e dënimit në gjyqin tjetër ndaj Hunter Bidenit, ku ai u shpall fajtor, është caktuar për më 13 nëntor. Ai mund të dënohet deri në 25 vjet burg, por meqë ky është rasti i parë i shkeljes së ligjit, ka të ngjarë që ai të dënohet me shumë më pak vite burg, ose ta shmangë plotësisht burgun.

Gjykata pranon paraqitjen e provave të reja në padinë ndaj ish-Presidentit Trump për zgjedhjet

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Një gjykatëse akuzoi të enjten avokatët e ish-Presidentit Donald Trump se po përpiqeshin të pengonin bërjen publike para 5 nëntorit të provave potencialisht të dëmshme lidhur me çështjen ndaj tij për përpjekje për përmbysje të rezultatit të zgjedhjeve të 2020, edhe pse ajo pranoi se gjyqi për këtë rast nuk do të fillojë para ditës së votimeve.

Gjykatësja Tanya Chutkan mbikqyr çështjen gjyqësore që bazohet tek akuzat se ish-Presidenti Trump komplotoi për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, përpara sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.

Gjykatësja Chutkan vendosi t’u japë prokurorëve mundësinë që të paraqesin prova të reja mbi çështjen deri në 26 shtator.

Vendimi erdhi pas një seance dëgjimore, e para pas vendimit të Gjykatës së Lartë se ish-presidentët gëzojnë imunitet të gjerë nga akuzat penale.

Thomas Windom, një anëtar i ekipit të prokurorit të posaçëm Jack Smith tha se dosja pritet të përfshije prova të detajuara nga hetimi për këtë çështje ndaj zotit Trump.

Ish Presidenti republikan Donald Trump do të përballet me Nën Presidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ai nuk ishte i pranishëm në seancë dhe është deklaruar i pafajshëm për të 4 akuzat penale të ngritura ndaj tij në këtë rast.

Ekipi i prokurorit të posaçëm Jack Smith paraqiti një padi të re javën e kaluar, nga e cila ishin hequr disa nga akuzat që ishin ngritur më parë ndaj ish-Presidentit Trump, duke zbatuar kështu vendimin e marrë nga Gjykata e Lartë në lidhje me imunitetin. Ekipi i prokurorëve ka thënë gjithashtu se janë të gatshëm të paraqesin një dokument me pikëpamjet e tyre ligjore se si mund të zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë tek çështja në fjalë.

Avokatët mbrojtës kanë thënë se do të paraqesin disa kërkesa për pushimin e çështjes, ndër to edhe një kërkesë që mbështetet tek vendimi i gjykatëses në Florida se emërimi i prokurorit Smith ishte antikushtetues.

Asnjë nga palët nuk pret që të arrihet deri në mbajtjen e gjyqit përpara zgjedhjeve të nëntorit, në veçanti për shkak të volumit të punës ligjore që duhet bërë. Gjykatëses Chutkan i duhet tashmë të vendosë se cilat prej neneve të akuzave mund të vazhdojnë të jenë pjesë e padisë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin.

Gjykata e Lartë vendosi në korrik se ish-presidentët gëzojnë imunitet absolut për ushtrimin e funksioneve të tyre themelore kushtetuese dhe se konsiderohen me imunitet nga hetimet për veprimet zyrtare.

Ekipi i prokurorit Smith reagoi duke rishikuar padinë, nga e cila u hoqën referencat ndaj përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për të përdorur kompetencat ligjzbatuese të Departamentit të Drejtësisë, për të qëndruar në pushtet – një aspekt për të cilin Gjykata e Lartë tha se ish-Presidenti Trump gëzon imunitet.

Kjo çështje gjyqësore bazohet tek një nga dy paditë federale që u ngritën ndaj ish-Presidentit Trump. Padia e dytë e akuzonte ish-presidentin për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, Florida. Kjo padi u rrëzua në muajin korrik nga gjykatësja Aileen Cannon, e cila u shpreh se emërimi i prokurorit të posaçëm Smith ishte i paligjshëm.

Ekipi i prokurorit Smith e ka apeluar këtë vendim. Avokatët e ish-Presidentit Trump thonë se do t’i kërkojnë gjykatëses të rrëzojë edhe padinë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, bazuar në të njëjtin arsyetim.

Trump, Harris ofrojnë të ardhme të ndryshme për Ukrainën

VOA/Anita Powell

Ukraina përballet me perspektiva jashtëzakonisht të ndryshme nën një presidencë të mundshme të kandidatëve Donald Trump apo Kamala Harris. Ndërsa fushata e zgjedhjeve presidenciale po i afrohet fundit, asnjëri nga kandidatët nuk ka përcaktuar saktësisht se si planifikojnë të merren me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ekspertët thonë se në të njëjtën periudhë, vetë beteja në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht, duke i dhënë më shumë pushtet Ukrainës në përcaktimin e fatit të saj.

Analistët kanë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e Ukrainës nëse kandidati republikan për President Donald Trump fiton një mandat të dytë.

“Mendohet gjerësisht se kthimi i Trump-it në Shtëpinë e Bardhë nuk është skenari më i mirë për Ukrainën, megjithëse ka edhe mendime të tjera se gjëndja mund të mos jetë aq keq”, thotë Oleksiy Melnyk nga organizata ukrainase ‘Razumkov’.

Ish Presidenti Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës me shpejtësi edhe pse kandidati i tij për Nënpresident, JD Vance, më parë ka thënë se ‘nuk i intereson’ Ukraina duke i bërë ukrainasit të pasigurt se çfarë të mendojnë.

Një presidencë e mundshme e kandidates demokrate Kamala Harris gjithashtu mbetët e paqartë për ukrainasit, një vend që njeh shumë mirë ish Presidentin Donald Trump dhe Presidentin Joe Biden.

Zonja Harris është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe ka përfaqësuar Presidentin Biden në takimet e nivelit të lartë për siguri transatlantike. Megjithatë, përgjatë fushatës zgjedhore zonja Harris ka folur shkurtimisht për Ukrainën dhe se si ajo ndryshon nga rivali i saj Trump.

“Trump-i inkurajoi Putin-in që të sulmojë aleatët tanë. Ai tha se Rusia mund të bëjë çfarë të dojë. Pesë ditë para se Rusia të sulmonte Ukrainën, unë u takova me Presidentin Zelensky për ta paralajmëruar atë për planin e Rusisë. Unë ndihmova në mobilizimin e një reagimi global të mbi 50 vendeve kundër agresionit të Putinit. Si presidente, unë do të mbaj qëndrim të fortë për Ukrainën dhe aleatët tanë të NATO-s”, tha zonja Harris.

Analistët thonë se zonja Harris ka të ngjarë të vazhdojë politikat e zotit Biden në mbështetje të Ukrainës. Ndërkaq, deklaratat për politikën e jashtme të ish Presidentit Trump mbeten po aq të paqarta si më parë. Kjo përfshinë edhe zotimin se ai do t’i japë fund luftës brenda një dite:

“Nuk është plotësisht e qartë se si do ta bëjë ai këtë. Frika është se ai do ta bëjë këtë thjesht duke braktisur Ukrainën, duke ndërprerë fondet dhe duke i bërë trysni Presidentit Zelensky për negociata në një kohë kur Putini do të kishte mundësi të forconte pozitën e tij në negociata”, thotë Andrew Payne nga Universiteti i Londrës.

Megjithatë, zoti Payne thotë se tani fushëbeteja është zhvendosur me vendimin e forcave ukrainase për të goditur përtej kufirit dhe për të marrë nën kontroll territor rus.

Ndërsa analistët parashikojnë se Ukraina as nuk do të kërkojë dhe as do të ketë sukses në mbajtjen e këtij territori, realiteti i ri do të ndihmojë Kievin, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Analisti Andrew Payne thotë gjithashtu se Presidenti Biden mund të ndërhyrjë në një fazë kyçe.

“Nuk do të prisja ndonjë ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit për operacionet ushtarake të Ukrainës para nëntorit, por duhet pritur se çfarë do të ndodh në periudhën në mes të nëntorit dhe janarit, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, për të parë nëse Ukrainës do t’i ofrohet pak më shumë hapësirë veprimi”, thotë analisti Payne.

Ndërsa të dy kandidatët vazhdojnë garën, ajo që mund të ndodhë në Ukrainë mund të mos varet nga presidenti amerikan, kushdo qoftë ajo apo ai.

Një ish punonjëse shtetërore e Nju Jorkut akuzohet se ka vepruar si agjente e Kinës

VOA/Fern Robinson

Ndaj një ish ndihmëseje të lartë të guvernatores së Nju Jorkut, Kathy Hochul, u ngritën akuza për veprim si agjente e qeverisë kineze.
Linda Sun, ish-zëvendës shefe e personelit të guvernatores Hochul, po akuzohet për shkelje të ligjit për regjistrim si agjente e huaj, mashtrim me viza, kontrabandë dhe pastrim të parave, thanë prokurorët federalë në një deklaratë të lëshuar të martën.

Linda Sun u punësua nga Zyra Ekzekutive e shtetit të Nju Jorkut më shumë se 10 vjet më parë dhe u pushua nga puna në mars 2023 kur u zbuluan dyshimet për aktivitete të paligjshme. Gjatë kësaj periudhe ajo mbajti poste në disa agjenci qeveritare të shtetit të Nju Jorkut.

Linda Sun dyshohet se ka vepruar në emër të qeverisë së Republikës Popullore të Kinës dhe Partisë Komuniste Kineze ndërsa punonte për qeverinë e shtetit të Nju Jorkut.

Linda Sun “nuk u regjistrua asnjeherë si agjente e huaj”, thanë prokurorët federalë, dhe ka “fshehur veprimet me urdhër, kërkesë ose udhëzim të qeverisë së Kinës dhe përfaqësuesve të Partisë Komuniste të Kinës”.

Linda Sun dhe bashkëshorti i saj Chris Hu, u arrestuan në shtëpinë e tyre në Long Island të martën. Ata nuk pranuan fajësinë për aukuzat gjatë paraqitjes në një gjykatë federale në Bruklin të martën.

Chris Hu përballet me akuza për pastrim parash, mashtrime bankare dhe keqpërdorim të mjeteve të identifikimit.

Prokurori federal Breon Peace tha se “skema e paligjshme pasuroi familjen e të pandehurit me një vlerë prej miliona dollarësh.”

Linda Sun dyshohet se kur punonte për qeverinë e shtetit të Nju Jorkut dhe atë të Kinës, ajo me sukses kishte frenuar qasjen e zyrtarëve të qeverisë tajvaneze tek zyrtarët e nivelit të lartë të Nju Jorkut.

Njoftohet gjithashtu se Linda Sun se ka ndryshuar mesazhet e zyrtarëve të nivelit të lartë të shtetit të Nju Jorkut mbi çështje me rëndësi për Kinën dhe Partinë Komuniste të Kinës.

Akuzat ndaj zonjës Sun përfshijnë një përpjekje për të lehtësuar udhëtimin e një politikani të nivelit të lartë të shtetit të Nju Jorkut në Kinë dhe caktimin e takimeve për vizitat e delegacioneve të qeverisë kineze me zyrtarë të qeverisë së shtetit të Nju Jorkut.

Sun dhe Hu morën shpërblime të rëndësishme ekonomike lidhur me angazhimin e tyre në mbështetje të Kinës, duke përfshirë miliona dollarë për biznesin e zotit Hu me bazë në Kinë, udhëtime falas, mbështetjen e biznesit të një miku të ngushtë të familjes dhe punësimin për kushëririn e zonjës Sun në Kinë.

Linda Sun dhe bashkëshorti i saj “pastruan miliona dollarë për vendin e huaj dhe përdorën përfitimet monetare të kësaj skeme për të blerë automjete luksoze dhe prona miliona dollarëshe këtu në Nju Jork”, tha Thomas M. Fattorusso, agjent special i ngarkuar me hetimet penale në Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme në Nju Jork.

Me paratë e tyre të pastruara, çifti bleu një shtëpi prej 4.1 milionë dollarësh në Long Island, një godinë me vlerë 2.1 milionë dollarë në Honolulu të Havait dhe disa makina të shtrenjta, duke përfshirë një Ferrari të vitit 2024.

Sun nuk raportoi asnjë nga përfitimet që mori nga Kina, siç kërkohet nga ligji për një punonjës të qeverisë së shtetit të Nju Jorkut.

Ndërkohë, zoti Hu pastronte në mënyrë të paligjshme para përmes llogarive bankare që ai hapi në emër të një të afërmi, thanë prokurorët. Chris Hu ka përdorur në mënyrë të paligjshme një imazh të patentës së shoferit të një të afërmi për të hapur llogaritë bankare.

O’ Brien: SHBA të shqetësuara nga veprimet “e pabashkërenduara dhe provokuese” të qeverisë së Kosovës

VOA

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet zoti O’Brien në një postim në platformën X, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në postimin e tij, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, shprehet zoti O’Brien.

Më herët të premten ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, me gjithë thirrjet e diplomacisë perëndimore për shmangien e “hapave të njëanshëm” në zonë.

Në një reagim të publikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “qeveria e Shteteve të Bashkuara përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ministri Krasniqi tha se “komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet mes tjerash se “çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

Në reagim theksohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që ta ketë përparësi bashkërendimin dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që përfshihen në agjendën e bisedimeve.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, pasqyron një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Më tej në reagim thuhet se ndërsa “qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, instrumentalizimi i vazhdueshëm i policisë së Kosovës nga qeveria për të kryer veprime të pabashkërenduara nuk është në përputhje me premtimin e Kosovës se do të “vazhdojë këshillimin dhe bashkërendimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit të sotëm. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se ky veprim “do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij “ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”.

Ai tha se me mbylljen e këtyre institucioneve (kryeministri Albin) Kurti “dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

Të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë një vizite që e përmbylli të premten në Serbi, ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

Kamala Harris: Kam ndryshuar pikëpamjet, por jo parimet

VOA/Marrë nga Associated Press

Në intervistën e saj të parë të rëndësishme të fushatës presidenciale të enjten, Nënpresidentja Kamala Harris mbrojti qëndrimet e saj të reja, duke hequr dorë nga pikëpamjet liberale në raport me disa çështje.

Por ajo këmbënguli se “parimet e saj nuk kanë ndryshuar”.

Zonja Harris u intervistua nga rrjeti televiziv CNN së bashku me guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, i cili kandidon krah saj për postin e nënpresidentit.

Nënpresidetja u pyet në mënyrë specifike lidhur me ndryshimin e qëndrimeve të saj në raport me ndalimin e shpimeve për nxjerrjen e naftës si dhe dekriminalizimit e kalimit të paligjshëm të kufirit, pozicione që i kishte mbështetur kur kandidoi për herë të parë si presidente, në vitin 2020.

Ajo tha se nuk ka në plan t’i ndalë shpimet, një çështje kyç kryesisht për ekonominë e shtetit të Pensilvanisë, ndërsa shtoi se “duhet të ketë pasoja për ata që kalojnë kufirin pa leje”.

Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar“, tha zonja Harris.

Gjatë intervistës së saj zonja Harris tha se ajo beson se mbi këto çështje “është e rëndësishme të arrihet konsensus dhe mirëkuptim se si mund të zgjidhen problemet”.

 

Intervista me gazetaren Dana Bash të rrjetit televiziv CNN, vjen në një kohë kur zgjedhësit po përpiqen ende të mësojnë më shumë rreth kandidates demokrate, brenda një harku kohor jashtëzakonisht të ngjeshur.

Presidenti Joe Biden i dha fund garës për t’u rizgjedhur vetëm pesë javë më parë.

Megjithëse ka dhënë disa intervista gjatë kohës që Presidenti Biden vazhdonte të ishte në garë, zonja Harris nuk kishte dhënë asnjë intervistë të thelluar, prej momentit kur mori stafetën e demokratëve për garën për Shtëpinë e Bardhë.

Ajo tha se puna me Presidentin Biden ishte “një nga nderet më të mëdha të karrierës së saj” si dhe tregoi mbi momentin kur ai e kishte telefonuar për ta njoftuar se do të tërhiqej nga gara dhe se do ta mbështeste atë si kandidate për presidente.

“Ai më tha se çfarë kishte vendosur të bënte dhe unë e pyeta: “A je i sigurt?” ai tha: “Po”. Kështu e mësova këtë gjë”.

Zonja Harris tha se nuk i kishte kërkuar Presidentit Biden që ta mbështeste për garën presidenciale pasi siç tha: “ai ishte shumë i qartë se do të më mbështeste”.

Gjatë intervistës Nënpresidetja Harris mbrojti punën e administratës Biden lidhur me kufirin jugor dhe imigracionin. Ajo vuri në dukje se e kishte për detyrë të përpiqej të trajtonte “shkaqet që qëndrojnë në rrënjë të problemit” në vendet e tjera, që janë dhe burimi i emigracionit.

Ne kemi ligje që duhen zbatuar, e që përcaktojnë masat për ata që kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme. Për këtë duhet të ketë pasoja”, tha zonja Harris.

E pyetur mbi luftën e Izraelit në Gazë, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, zonja Harris tha se ajo “pamëdyshje është e palëkundur në angazhimin për të mbrojtur Izraelin dhe kapacitetet e tij për të mbrojtur veten”.

Por nënpresidentja përsëriti gjithashtu atë që ka thënë prej muajsh, se ofensiva izraelite ka shkaktuar një numër të lartë vdekjesh mes popullatës civile.

Zonja Harris u pyet edhe mbi komentet e ish-Presidentit Donald Trump mbi identitetin e saj racor. Zoti Trump ka sugjeruar në mënyrë të rreme se zonja Harris ka ndryshuar mënyrën se si e prezanton veten për arsye politike, duke thënë se ajo papritur nisi të thoshte që ishte zezake.

Zonja Harris, me prindër zezakë dhe Azia Jugore, i cilësoi komentet e zotit Trump si “i njëjti avaz i vjetër”.

Ajo nuk komentoi gjatë mbi këtë çështje, duke i kërkuar gazetares Bash të kalonte tek pyetja tjetër.

Zoti Trump dhe zonja Harris do të përballen në një debat më 10 shtator. Në një postim të enjten në mbrëmje, dukej se zoti Trump po i kushtonte vëmendje intervistës.

Pasi u përmend çështja e debatit, ai shkroi në median sociale:

Mezi pres të debatoj me shoqen Kamala Harris dhe ta ekspozoj atë si mashtruese“.

Zoti Trump shkruante më tej se kundërshtarja e tij demokrate “ka ndryshuar çdo pozicion të saj të mbajtur prej kohësh, për gjithçka. Amerika nuk do të lejojë kurrë që një marksiste të përdorë zgjedhjet për qëllimet e saj politike, e të bëhet presidente e vendit”.

Debati do të jetë takimi i parë që zonja Harris dhe zoti Trump kanë zhvilluar ndonjëherë me njëri-tjetrin.

Dy kundërshtarët politikë duket se qenë në të njëjtin ambjent vetëm kur zoti Trump ka mbajtur fjalime përpara Kongresit dhe zonja Harris ka qenë e pranishme aty, në cilësinë e senatores.

Në pjesën e dytë të intervistës gazetarja e CNN-it u përqëndrua edhe tek zoti Walz. Ai u pyet rreth informacioneve të pasakta që ka dhënë mbi të shkuarën e tij, duke filluar nga mënyra se si i ka përshkruar 24 vitet e shërbimit që ka kryer në Gardën Kombëtare.

Në një videoklip të vitit 2018, zoti Walz fliste kundër dhunës me armë zjarri duke u shprehur: “Ne mund të sigurohemi që këto armë sulmuese, që unë i kam mbajtur në luftë, të jenë i vetmi rast, ku ato të përdoren”, shprehej ai në atë kohë.

Kritikët thonë se komentet e zotit Walz sugjeronin se ai kishte qenë në luftë, gjë që siç thonë ata, nuk është e vërtetë.

Duke sqaruar deklaratat e tij zoti Walz tha se ishte shprehur gabim pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë, duke shtuar se: “Gramatika ime nuk është gjithmonë e saktë”.

I pyetur në lidhje me deklaratat që dukej se tregonin se bashkëshortja e tij kishte mbetur shtatzënë përmes fekondimit artificial in-vitro, kur në fakt kishin përdorur një trajtim tjetër, ai tha se besonte se shumica e amerikanëve e kishin kuptuar se çfarë donte të thoshte.

Më pas ai foli lidhur me kundërshtimin që republikanët i bëjnë se drejtës për abort.

Ndërkaq një sondazh i kompanisë Gallup tregon se entuziazmi i demokratëve lidhur me zgjedhjet në nëntor është rritur gjatë muajve të fundit.

Rreth 8 në 10 demokratë ose 80 % tashmë thonë se janë më entuziastë se zakonisht lidhur me zgjedhjet, krahasuar me 55% që ishin në mars.

Entuziazmi i republikanëve është rritur shumë më pak gjatë së njëjtës periudhë. Aktualisht rreth dy të tretat e republikanëve thonë se janë më entuziastë se zakonisht për votimet.

Në një mjedis të mbushur plot me njerëz, për një tubim të enjten në Savanah të Xhorxhias, zonja Harris inkurajoi demokratët të punonin fort për ta zgjedhur atë në nëntor.

Ne jemi këtu për të thënë të vërtetën dhe një nga gjërat që dimë është se kjo do të jetë një garë e ngushtë deri në fund“, tha ajo.

Zonja Harris foli për një sërë të shqetësimesh që kanë demokratët. Ajo tha se zoti Trump do të kufizonte më tej të drejtat e grave, duke kujtuar se kur ishte në Shtëpinë e Bardhë ai kishte emëruar tre anëtarë të Gjykatës së Lartë, që ndihmuan në rrëzimin e vendimit historik që garantonte mbrojtje për abortin, Roe kundër Wade.

Ajo tha se zoti Trump do të shfuqizonte Aktin e Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor ndërsa ngriti pikëpyetje mbi veprimet që mund të ndërmerrte ish-presidenti nëse vinte sërish në pushtet duke pasur parasysh imunitetin dhënë presidentëve, falë një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Imagjinoni Donald Trumpin pa asnjë kufizim“, tha ajo.

Tubimi në Xhorxhia ishte fundit i një turneu dy-ditor me autobus në pjesën jugore të këtij shteti. Zonja Harris do të zhvillojë fushatë javën tjetër në Ditën e Punës në Detroit dhe Pitsburg me në krah Presidentin Biden ndërsa procesi zgjedhor po afrohet me shpejtësi.

Fletët e para të votimit me postë do t’u dërgohen votuesve pas dy javësh.

Kamala Harris thotë se mund të emërojë një republikan në kabinet, nëse zgjidhet

VOA/Marrë nga Reuters

Kamala Harris i doli në mbrojtje të enjten disa ndryshimeve në politikat e saj që anojnë drejt qendrës dhe tha se ajo mund të emërojë një republikan në kabinet, nëse zgjidhet.

Komentet zonja Harris i bëri në intervistën e saj të parë për një rrjet të madh televiziv, që kur demokratët e emëruan atë si kandidate për presidente.

Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar“, i tha ajo gazetares së CNN-it Dana Bash gjatë intervistës, pjesë të së cilës u publikuan përpara se ajo të transmetohet e plotë në orën 21:00, me orën lokale të Uashingtonit.

Zonja Harris është pozicionuar më shumë drejt qendrës për disa çështje, që nga koha kur kandidoi për presidente në vitin 2020.

Ajo ka ashpërsuar qëndrimin e saj mbi emigracionin përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikën. Ajo gjithashtu është tashmë kundër ndalimit të shpimeve, për nxjerrjen e naftës, falë së cilës punëson shumë njerëz në Pensilvani, një nga ato pak shtete, që do të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Parimet e mia rreth asaj që duhet të bëjmë për të siguruar kufirin tonë – nuk kanë ndryshuar. Kam shërbyer dy mandate si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë duke ndjekur penalisht organizata kriminale transnacionale, shkelësit e ligjeve amerikane, që kanë kryer trafik të paligjshëm të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore përtej kufirit tonë, dhe parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha ajo.

Intervista e zonjës Harris kishte për qëllim të tregonte se ajo i zotëronte të gjitha çështjet. Disa kritikë sugjerojnë se ajo mund të jetë më pak e rafinuar në mjedise ku nuk ka një fjalim të shkruar, pas një serie fjalimesh të fuqishme në fushatë, që kur mori në dorë stafetën e demokratëve për garën për Shtëpinë e Bardhë.

Zonja Harris, së bashku me kandidatin demokrat për nënpresident, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, diskutoi gjithashtu mbi mundësinë e futjes së një republikani në kabinetin e saj të mundshëm, duke thënë se ajo dëshironte një larmi mendimesh.

Mendoj se është e rëndësishme të kemi në tavolinën kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme, njerëz që kanë pikëpamje e përvoja të ndryshme. Dhe mendoj se do të ishte në të mirën e publikut amerikan që të kishte një anëtar në kabinetin tim i cili ishte një republikane”, tha ajo.

Nënpresidentja Harris ka shmangur intervistat zyrtare dhe konferencat për shtypin gjatë ngritjes së saj të shpejtë për të kandiduar në emër të demokratëve për postin e presidentes.

Aktakuzë e re kundër Donald Trumpit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020

Prokurori i Posaçëm amerikan, Jack Smith, ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për dyshimet se ai ishte përpjekur ta zhbënte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Aktakuza e re e ngarkon Trumpin me akuzat e njëjta kriminale sikurse ajo e vjetra, por përmban disa ndryshime pas aktvendimit të Gjykatës Supreme se ish-presidenti gëzon imunitet të gjerë nga ndjekja penale.

Aktakuza e re përqendrohet në rolin e Trumpit si kandidat politik që kërkonte rizgjedhjen, në vend se si president i vendit asokohe.

Më 1 korrik, Gjykata Supreme tha se Trumpi gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprimet që i kishte ndërmarrë si president.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm tha se aktakuza e përditësuar, e dorëzuar në gjykatën federale në Uashington, “pasqyron përpjekjet e Qeverisë për t’i respektuar dhe zbatuar vendimet e Gjykatës Supreme”.

Në një reagim në platformën e vet Truth Social, Trump e quajti aktakuzën e re “dëshpërim” dhe “përpjekje për ta ringjallur gjuetinë e vdekur të shtrigave”. Ai tha se aktakuza e re i ka “të gjitha problemet e aktakuzës së vjetr dhe duhet të hidhet poshtë menjëherë”.

Aktakuza e re i heq referencat ndaj akuzave të cilat mund të cilësohen si veprime zyrtare për të cilat Trumpi gëzon imunitet, sipas vendimit të Supremes. Kjo përfshin akuzat se Trumpi u përpoq ta përdorte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjet e tij të dështuara për ta zhbërë humbjen në zgjedhje, përfshirë duke kryer hetime të rrejshme dhe duke u thënë shteteve – gabimisht – se është vërejtur mashtrim i madh në zgjedhje.

Gjykata Supreme tha në vendimin e saj se bashkëveprimi i presidentit me Departamentin e Drejtësisë është veprim zyrtar dhe për këtë ai gëzon imunitet.

Aktakuza e re heq edhe referencat ndaj komunikimit të Trumpit me zyrtarët e qeverisë federale – si avokatë të lartë të Shtëpisë së Bardhë – të cilët i kishin thënë atij se nuk kishte dëshmi për mashtrim që do ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve 2020. Ajo i heq edhe referencat ndaj deklaratave të caktuara të Trumpit, përfshirë një pretendim që ai e kishte bërë në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë dy ditë pas zgjedhjeve për një kosh të dyshimtë të mbushur me vota në Detroit.

Por, aktakuza e re përmban njërën prej akuzave më tronditëse të ngritura nga Smith, se Trumpi mori pjesë në një skemë të orkestruar nga aleatët për rekrutimin e pjesëtarëve të rrejshëm zgjedhorë në terren në shtetet ku demokrati Joe Biden kishte fituar, të cilët do të dëshmonin rrejshëm se Trumpi i kishte fituar ato shtete.

Gjithashtu aktakuza ruan edhe dyshimet se Trumpi i kishte bërë trysni nënpresidentit Mike Pence për ta hedhur poshtë ligjshmërinë e votave dhe se Trumpi dhe aleatët e tij e shfrytëzuan kaosin në Capitol më 6 janar, në përpjekje për ta shtyrë edhe më shumë certifikimin e fitores së Bidenit.

Trump është sërish kandidat republikan për president në zgjedhjet e 5 nëntorit, dhe këtë herë ai do të garojë kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, e cila, sipas sondazheve, ka një epërsi të vogël ndaj tij në nivel kombëtar.

Në maj, Trump u bë presidenti apo ish-presidenti i parë amerikan që dënohet për vepër penale.

Një gjykatë në Nju Jork e shpalli Trumpin fajtor për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të. REL

Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-Presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

VOA/Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Prokurori i posaçëm Jack Smith i kërkoi të hënën një gjykate federale të apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-Presidentin Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun e 11-të, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.

“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.

“Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë”.

Departamenti i Drejtësisë ishte shprehur më parë se kishte në plan ta apelonte vendimin e gjykatëses.

Prokurori Jack Smith

Prokurori Jack Smith

Në kërkesën e së hënës, zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu gjykatës së apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.

Gjykatësja Cannon, e emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Trump, ishte shprehur se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland për të emëruar prokurorin e posaçëm Smith në vitin 2022 shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ajo gjithashtu vendosi se buxheti i zyrës së tij, që financohet nga një fond i pacaktuar, ishte i paligjshëm.

Avokatët e ish-Presidentit Trump patën kundërshtuar më parë autoritetin ligjor për emërimin e prokurorit Smith, duke argumentuar se zyra e prokurorit Smith nuk ishte krijuar nga Kongresi dhe ai nuk ishte konfirmuar nga Senati si prokuror i posaçëm.

Ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump tha të hënën se gjykata duhet ta refuzojë kërkesën e prokurorit Smith dhe se duhet të pushohen çështjet e tjera me të cilat përballet ish-presidenti.

Vendimi i gjykatëses Cannon është përballur me kritika të ashpra, ndërsa shumë juristë thonë se bie ndesh me vendimet e mëparshme gjyqësore, që mbështesin ligjshmërinë e rregullave tek të cilat Departamenti i Drejtësisë është mbështetur prej vitesh për emërimin e prokurorëve të posaçëm.

“Prokurori i Përgjithshëm emëroi në mënyrë të vlefshme Prokurorin e Posaçëm, i cili gjithashtu financohet siç duhet”, shkruajti zyra e prokurorit Smith, duke shtuar se gjykatësja Cannon “kishte devijuar nga precedenti detyrues i Gjykatës së Lartë” dhe se gjithashtu kishte “keqinterpretuar statutet që autorizonin emërimin e Prokurorit të Posaçëm”.

Vendimi i gjykatëses Cannon për ta pushuar çështjen shënoi një fitore ligjore për ish-Presidentin Trump dhe erdhi jo shumë kohë pasi Gjykata e Lartë vendosi se ai kishte imunitet të gjerë nga ndjekja penale për veprimet zyrtare të ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ka çuar në vonesa të mëdha në çështjen e dytë penale të prokurorit Smith ndaj ish-Presidentit Trump, në të cilën ish-presidenti po përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Prokurori Smith përballet me një afat deri të premten për t’i paraqitur gjykatës se si dëshiron të vazhdojë, në dritën e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ish-Presidenti Trump, i cili kandidon në zgjedhjet presidenciale përballë Nënpresidentes Kamala Harris, u gjend fajtor në maj për akuzat e ngritura nga shteti i Nju Jorkut, që përfshinin pagesat për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, për të shmangur një skandal seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Dhënia e dënimit është shtyrë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial.

Në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ish-Presidenti Trump u padit me akuzat se mbante me dashje dokumente të sigurisë kombëtare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale.

Përgatitjet për misionin hapësinor në Hënë “Artemis II”

VOA/Marrë nga Associated Press

NASA përfundoi prodhimin e një pajisjeje kyçe të sistemit të fluturimit hapësinor, që do të përdoret për dërgimin e astronautëve në Hënë. Mjeti lëshues i misionit “Artemis II” është prodhuar në Qendrën Hapësinore Marshall në Hantsvil të Alabamës dhe po transportohet me rrugë ujore në një udhëtim dy-javor drejt Qendrës Hapësinore Kennedy në Florida.

Zyrtarët e NASAs thonë se mjeti konik 27 metra i gjatë është pjesë e rëndësishme e platformës së lëshimit për misionin e ardhshëm në Hënë, “Artemis II”.

Kjo pajisje do të mbrojë motorët e anijes hapësinore, që do të bëjë një fluturim prove rreth Hënës.

“Ky mjet i rëndësishëm për sistemin e lëshimit në hapësirë po ngarkohet në platformën lundruese “Pegasus” për udhëtimin drejt Qendrës Hapësinore Kennedy. Është kryesisht një pjesë strukturore, që do të përdoret për bartjen e ngarkesave në platformën e lëshimit të anijes hapësinore Orion”, shpjegon Matthew Ramsey, menaxher i misionit “Artemis II”.

Pjesë e misionit “Artemis II” është dërgimi i katër astronautëve rreth Hënës në një fluturim 10-ditor në shtator të vitit 2025.

Lauren Fisher, inxhiniere e materialeve strukturore në Qendrën Marshall të Fluturimit në Hapësirë, është pjesë e ekipit që po punon në programin Artemis.

“Unë gjithmonë kam shpresuar se do të kthehemi në Hënë. Nuk e mendoja se do të isha pjesë e një ekipi kaq të rëndësishme të realizimit të këtij misioni. Jam shumë krenare dhe e lumtur që jam pjesë e këtij programi”, thotë ajo.

Edhe menaxheri i misionit “Artemis II”, Matthew Ramsey është i emocionuar.

“Është një punë e madhe sepse kanë kaluar 50 vjet që kur kemi dërguar njerëz në Hënë”, thotë ai.

Anëtarët e ekuipazhit të misionit “Artemis II” janë astronautët Jeremy Hansen, Victor Glover, Reid Wiseman dhe Christina Hammock Koch.

NASA shpreson se fluturimi rreth hënës do t’i hapë rrugën astronautes Hammock Koch të bëhet gruaja e parë që do të shkelë në Hënë në misionin e ardhshëm, “Artemis III”.

“Astronautët janë njerëz fantastikë. Christina është e mrekullueshme. Mendoj se ajo mund të ketë vendosur rekordin e qëndrimit më të gjatë të një gruaje amerikane në hapësirë. Pra, kemi të bëjmë me njerëz, që janë të avancuar në fushën e shkencës dhe teknologjisë”, thotë zoti Ramsey.

Misioni i ri në Hënë është shumë më bashkëpunues dhe ndërkombëtar se misionet e mëparshme Apollo, thekson zoti Ramsey.

“Nuk është një lloj programi monolit, ku vetëm Shtetet e Bashkuara do të jenë të angazhuara. Ndërsa ne vazhdojmë të zhvillojmë teknologjinë tonë, ne do të bashkëpunojmë edhe me kanadezët, sauditët dhe evropianët”, thotë ai.

Pas mbërritjes së strukturës konike në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida, inxhinierët do të punojnë për ta përgatitur anijen për lëshim në hapësirë.

Arrestimi i CEO së Telegram, nënkoloneli amerikan paralajmëron Musk: Mund të jetë rradha juaj…

Nënkoloneli në pension Alexander Vindman, i cili bëri bujë si një dëshmitar kyç në gjyqin e shkarkimit kundër ish-presidentit Donald Trump, i dha një paralajmërim Elon Musk, pasi CEO i aplikacionit të mesazheve Telegram, Pavel Durov u arrestua në Francë.

Durov u arrestua me një urdhër-arresti në Paris të shtunën në mbrëmje, pas një hetimi paraprak policor, rreth dështimit të supozuar të tij për të kufizuar mjaftueshëm aktivitetin kriminal në Telegram, sipas TF1 TV dhe BFM TV.

Ndërsa ekspertët dhe drejtuesit e industrisë dhanë alarmin për cënimin e fjalës së lirë, Vindman mbrojti arrestin, duke paralajmëruar gjithashtu CEO-n e “X” se mund të ishte personazhi i rradhës që mund të arrestohej.

“Ndërsa Durov ka nënshtetësi franceze, është arrestuar për shkelje të ligjit francez, kjo ka implikime më të gjera për mediat e tjera sociale, përfshirë Twitter-in”, shkroi Vindman.

“Ka një intolerancë në rritje për platformën e informacionit të keq dhe ndikimit keqdashës dhe një oreks në rritje për llogaridhënie. Musk duhet të jetë nervoz”, shprehet ai.

Musk reagoi për arrestimin e Durov në postime të shumta në X gjatë fundjavës dhe ndau hashtagun #FreePavel në mediat sociale.

“Kohë të rrezikshme”, shkroi Musk në një postim që i referohej censurës së imponuar nga qeveria.

Telegram, i cili ka mbi 900 milionë përdorues, është një aplikacion mesazhesh që është i krahasueshëm me WhatsApp, por sipas The New York Times, gjithashtu lejon grupe të mëdha njerëzish të komunikojnë nëpër kanale të ndryshme.

New York Times gjithashtu raportoi se aplikacioni ishte në “radarin e agjencive të zbatimit të ligjit në mbarë botën sepse organizatat terroriste, shpërndarësit e drogës, tregtarët e armëve dhe grupet ekstremiste të ekstremit të djathtë e kanë përdorur atë për komunikim, rekrutim dhe organizim”.BW

Tim Walz pranon emërimin e Partisë Demokrate si kandidat për nënpresident

VOA/Kane Farabaugh

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz pranoi emërimin e partisë së tij për nënpresident në ditën e tretë të Kuvendit Kombëtar Demokrat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh sjell më shumë hollësi nga Çikago.

Punimet e ditës së tretë të Kongresit Kombëtar të Partisë Demokrate në Çikago u hapën nga senatori nga Nju Xhersi, Cory Booker.

“Mirësevini në natën e tretë e cila i kushtohet lirisë”, tha ai.

Ndërsa disa nga folësit u përqëndruan tek çështje si e drejta riprodhuese, mjedisi dhe siguria e kufirit, mesazhi i shumë të tjerëve e vuri theksin tek dallimet mes alternativave që do të jenë para votuesve në zgjedhjet e nëntorit.

“Kamala Harris për popullin… dhe ai tjetri, që po e dëshmon përsëri, më fortë se më parë, se do t’ia dijë vetëm për veten”, tha ish-Presidenti Bill Clinton.

Ai ishte një nga folësit kryesor të mbrëmjes. Zoti Clinton ka marrë pjesë në çdo kuvend të partisë që nga viti 1972. Nisur nga përvoja e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai shpjegoi arsyet pse beson se Nënpresidentja Harris është zgjedhja e duhur për presidente.

“Kamala Harris do të punojë për të zgjidhur problemet tona, për të na krijuar më shumë mundësi, për të na lehtësuar frikën dhe do të punojë, që çdo amerikan, pavarësisht se për kë voton, të ketë mundësi të ndjekë ëndrrat e tij”, tha ai.

Momenti kyç për demokratet ishte ngjitja në skenë e Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz, i cili pranoi emërimin e partisë si kandidat për nënpresident.

“Është nderi i jetës sime të pranoj emërimin tuaj për nënpresident të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Walz.

Për shumë të pranishëm, ose për ata që e ndoqën nga televizori, fjalimi i zotit Walz ishte si prezantim para votuesve.

“Jam rritur në Butte të Nebraskës, një qytet me 400 banorë. Ishim 24 fëmijë në klasë, në shkollën e mesme dhe asnjëri prej nesh nuk shkoi në Universitetin Yale. Por mund t’ju them, se jeta në një qytet të vogël, të mëson si të kujdesesh për të tjerët”, tha ai.

Zoti Walz, një veteran i ushtrisë, ish-mësues dhe trajner futbolli dhe basketbolli në shkollën e mesme, theksoi se si këto pjesë të biografisë së tij e ka përgatitur për një karrierë në politikë.

“Ishin ata lojtarë dhe studentët e mi që më frymëzuan të garoj për në Kongres. Ata panë tek unë atë që shpresoja të ushqeja tek ata, përkushtimin për të mirën e përbashkët, të kuptuarit se jemi një dhe se besojmë se edhe një person i vetëm mund të sjellë ndryshime për fqinjët e tij”, tha ai.

Zoti Walz foli edhe temën kryesore të mbrëmjes, lirinë.

“Kur ne demokratët flasim për lirinë, nënkuptojmë lirinë për të bërë jetë më të mirë për veten tuaj dhe njerëzit që doni. Lirinë për të marrë vendimet tuaja për kujdesin shëndetësor dhe lirinë e fëmijëve tuaj për të shkuar në shkollë, pa u frikësuar, se mos qëllohen për vdekje”, tha ai.

Demokratët e mbyllin kuvendin sonte në mbrëmje me momentin kryesor: fjalimin e kandidates së partisë për presidente, Kamala Harris.

Kamala Harris në qendër të vëmendjes në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve

VOA/Marrë nga Associated Press

Nënpresidentja Kamala Harris do të pranojë të enjten në mbrëmje zyrtarisht emërimin historik si kandidate e Partisë Demokrate në ditën e fundit të Kuvendit Kombëtar.

Fjalimi i jep asaj një nga mundësitë e pakta të mbetura deri në zgjedhje për të shpalosur vizionin për vendin para një audience prej miliona amerikanësh dhe për të argumentuar se pse duhet të votojnë për të, duke vënë në shënjestër rivalin e saj republikan Donald Trump.

Pranimi i emërimit nga zonja Harris është pika kulmore e një muaji të pazakontë në politikën amerikane, që kur Presidenti Joe Biden u tërhoq nga gara për një mandat të dytë.

Sipas një zyrtari të fushatës që foli me kusht që të mos identifikohej, zonja Harris ka tre objektiva për fjalimin e saj. Ajo do të tregojë historinë e ngritjes së saj nga fëmijë e një familjeje e klasës së mesme tek posti i prokurores në mbrojtje të të tjerëve; ajo do të flasë gjithashtu për kontrastin mes vizionit të saj “optimist” dhe atij të zotit Trump që ajo e konsideron “negativ”; si edhe do të përcjellë një ndjenjë patriotizmi.

Nënpresidentja foli shkurtimisht në Kuvend të hënën, kur falënderoi zotin Biden dhe ngriti lart arritjet e tij si president, dhe përsëri të martën, kur një pjesë e një tubimi të saj në Miluoki të Viskonsinit, u transmetua në sallën e Kuvendit.

Personazhe të tjerë që do të flasin të enjten janë Guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, Guvernatori i Karolinës së Veriut Roy Cooper, udhëheqësi i të drejtave civile Al Sharpton dhe Presidenteja e Federatës Amerikane të Arsimtarëve, Randi Weingarten.

Zonja Harris është gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që pranon emërimin si kandidate për presidente e një partie të madhe.

Ajo flet një ditë pasi guvernatori i Minesotës, Tim Walz pranoi emërimin si kandidat për nënpresident. Shumë amerikanë nuk e njihnin zotin Walz përpara se zonja Harris ta zgjidhte si kandidat, prandaj fjalimi i tij ishte një mundësi për t’u prezantuar para tyre.

Ai e vuri theksin tek përvoja si trajner futbolli, shërbimin në Gardën Kombëtare dhe vështirësitë e familjes së tij për të pasur fëmijë.

Zoti Walz sjell në garë përvojën jetësore të dikujt nga pjesa qendrore e Amerikës dhe demokratët shpresojnë që ai të bëjë për vete votuesit nga ajo pjesë e vendit, që mund të identifikohen me të.

Walz pranon nominimin gjatë Kuvendit të demokratëve

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka pranuar nominimin e partisë së tij për të kandiduar për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar të demokratëve ai falënderoi të pranishmit për sjelljen “e gëzimit” në zgjedhjet që janë transformuar nga hyrja në garë e nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.

“Jemi të gjithë këtu sonte për një arsye të bukur dhe të thjeshtë: E duam këtë vend”, tha Walz para mijëra delegatëve që mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Trajneri Walz”.

Shumë amerikanë nuk kishin dëgjuar kurrë për Walzin para se Harris ta zgjidhte për kandidat për nënpresident dhe ky fjalim ishte mundësi që ta prezantonte veten. Ai foli për përvojën e tij si trajner futbolli, për shërbimin në Gardën Kombëtare dhe për problemet e familjes së tij me fertilitetin – të gjitha këto pjesë të biografisë së tij që republikanët kanë vënë në pikëpyetje që kur Harris e zgjodhi atë.

Ekipi i fushatës së Harrisit tha se Walz kishte punuar në fjalimin e tij për disa ditë dhe ai për herë të parë përdori teleprompterin, duke bërë prova në mënyrë që të ishte i përgatitur. Ai u tha të pranishmëve se “nuk kam mbajtur shumë fjalime si kjo, por më kanë këshilluar shumë”.

“Disa njerëz nuk e kuptojnë se çfarë duhet të bësh për të qenë fqinj i mirë”, tha Walz. “Për shembull, Donald Trump dhe JD Vance”.

Trump, kandidati republikan për president, kritikoi Kuvendin e demokratëve duke e quajtur “qesharak” dhe theksoi se ai është shpesh është temë e fjalimeve. Ai po ashtu foli për ish-presidentin Barack Obama, i cili gjatë fjalimit në Kuvend të martën ishte mjaft kritik, duke thënë se Obama ishte “i ndyrë”.

Ndërkaq, gjatë fjalimit Walz foli për fëmijërinë e tij në Nebraska dhe për karrierën e tij si mësues dhe trajner futbolli në Minesota. “Faleminderit që keni sjellë gëzim në këtë luftë”, i tha ai turmës.

Por, ai po ashtu kritikoi kandidatin republikan për nënpresident, JD Vance, dhe kritikoi disa politika të republikanëve.

“Përderisa shtetet tjera po ndalonin librat në shkolla, ne po çrrënjosnim urinë nga shkollat tona”, tha ai.

Walz është kritikuar se ka ekzagjeruar karrierën e tij. Gruaja e tij gjatë kësaj jave e sqaroi se ajo nuk i ishte nënshkruar fertilizimit sipas metodës in vitro, siç kishte pretenduar Walz disa herë. Por, ajo tha se i ishte nënshkruar trajtimeve të tjera të fertilitetit. Republikanët po ashtu kanë kritikuar për deklaratat e bëra nga Walz më 2018, i cili kishte thënë se kishte mbajtur armë në luftë. Edhe pse ai ka shërbyer në Gardën Kombëtare për 24 vjet, ai asnjëherë nuk ishte dislokuar në një zonë lufte.

Walz ka përfshirë sfidat e familjes së tij me ferilitet në narrativin e tij, si një mënyrë për t’u afruar me votuesit që janë të shqetësuar me heqjen e të drejtave riprodhuese në SHBA. Por, Gwen Walz në një deklaratë të lëshuar të martën tregoi për përvojën e saj dhe tha se i është nënshtruar një trajtimi tjetër e jo in vitro.

“Nëse nuk keni përjetuar asnjëherë jofertilitetin, ju siguroj se e njoh dikë që e ka përjetuar”, tha Tim Walz të mërkurën.

Të mërkurën, në Kuvendin e demokratëve kishte edhe persona me të cilët Trump ishte ballafaquar gjatë karrierës së tij: Bill Clinton, presidenti i 42-të i SHBA-së dhe Oprah Winfrey, një prezantuese ikonike.

Gjatë adresimeve, të dizajnuar për të kritikuar Trumpin, Clinton dhe Winfrey e paraqitën ish-presidentin si një njeri vetjak, ndërkaq Harrisin si një person të përqendruar më shumë në nevojat e përditshme të amerikanëve sesa në nevojat e saj.

“Sipas meje kemi një zgjedhje të qartë. Kamala Harris për njerëzit. Personi tjetër që ka dëshmuar është vetëm për vete, ‘unë, unë dhe unë’”, tha Clinton, i cili mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar Demokratik pothuajse 10 minuta më të gjatë se fjalimi i Walzit, që ishte njeriu kryesor i natës.

Winfrey ndërkaq ofroi mbështetje për Harrisin. “Mirësjellja dhe respekti janë opsion në këto zgjedhje”, duke ftuar amerikanët që të zgjedhin Harrisin dhe Walzin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. REL

Barack dhe Michelle Obama elektrizojnë demokratët, mbështesin fuqishëm Nënpresidenten Harris

VOA/Katherine Gypson

Ish-Presidenti amerikan Barack Obama iu drejtua demokratëve në Kuvendin Kombëtar të martën, duke thënë se Nënpresidentja Kamala Harris është zgjidhja e duhur për të sfiduar ish-Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ish-Presidenti dhe bashkëshortja e tij Michelle ishin folësit kryesorë të natës së dytë të Kuvendit në Çikago.

Një pritje entuziaste në Kuvendin Kombëtar Demokrat për ish-Presidentin Barack Obama.

“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më frymëzuese. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris”, tha zoti Obama.

Ai vuri në pah kontrastin mes Nënpresidentes Harris dhe rivalit të saj republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

“Kamala Harris nuk do të mendojë vetëm për veten e saj. Ajo do të përqendrohet tek ju. Si presidente, ajo nuk do të kujdeset vetëm për mbështetësit e saj dhe të ndëshkojë ata që nuk janë dakord me të. Ajo do të punojë në emër të çdo amerikani – kjo është Kamala.”

Zoti Obama u prezantua nga gruaja e tij Michelle, e cila në fjalimin e saj tha se në kohën e shkurtër deri në zgjedhje, demokratët duhet të bëjnë fushatë intensive për zonjën Harris.

“Nuk mundet thjesht të vrasim mendjen nëse ky vend do të zgjedhë dikë si Kamala. Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të zgjedhur dikë si Kamala”, tha zonja Obama.

Megjithëse procesi i emërimit të zonjës Harris si kandidate u bë në fillim të këtij muaji, një apel ceremonial i votave të shteteve, tregoi entusiazmin e demokratëve për të.

Nënpresidentja Harris falënderoi delegatët nga distanca nga një tubim zgjedhor në Miluoki të Viskonsinit.

Një nga folësit e mbrëmjes ishte edhe bashkëshorti i saj, Doug Emhoff i cili e quajti gruan e tij një luftëtare optimiste.

“Ajo do të udhëheqë me bindjen se pavarësisht nga origjina jonë apo cilit grup i përkasim, ne jemi më të fortë kur luftojmë për atë që besojmë, jo vetëm kundër asaj që i druhemi”, tha ai.

Në natën e dytë të Kuvendit Demokrat folën edhe disa ish-anëtarë të administratës së zotit Trump dhe zyrtarë republikanë që mbështesin zonjën Harris.

“Trump bëri premtime të mëdha: për rritje ekonomike të pakufizuar, për një rilindje të prodhimit amerikan, një kufi të sigurt. Por rezultoi që i kishte vetëm fjalë”, tha John Giles, kryebashkiak republikan i qytetin Mesa të Arizonës.

Të mërkurën, do t’u drejtohet delegatëve në Çikago Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë si kandidat për nënpresident.

Është zyrtare: Kamala Harris emërohet kandidate demokrate për presidente

Nënpresidentja mori miratimin e 5 mijë delegatëve në Konventën e Çikagos

VOAL- Kamala Harris u emërua kandidatja demokrate për presidentE nga 5000 delegatë në konventën e Çikagos. Çdo shtet hodhi votën e tij në një ceremoni që ishte më shumë se çdo gjë tjetër spektakolare dhe simbolike, pasi Nënpresidentja e kishte pranuar tashmë nominimin 2 javë më parë. Emërimi zyrtar megjithatë elektrizoi Qendrën e Bashkuar. Në Koventë ka folur edhe ish-presidenti Barack Obama. Kjo është “kulmorja” e vërtetë e ditës së dytë të Konventës Demokratike. AP/RSI

Fjalimi i Presidentit Biden në mbrëmjen e parë të Kuvendit të Partisë Demokrate

Presidenti Biden duke folur në Kuvendin e Partisë Demokrate në Çikago

 

VOA/AP dhe Reuters

Një Parti Demokrate e rigjallëruar u mblodh mbrëmjen e së hënës për të dëgjuar fjalën përshëndetëse të Presidentit Joe Biden, vendimi i të cilit për t’i dhënë fund rikandidimit, çliroi energji të reja me ngjitjen në krye të garës të Nënpresidentes Kamala Harris.

Kuvendi Kombëtar Demokrat që filloi punimet të hënën në Çikago ka peshë të veçantë për këtë parti, vetëm një muaj pas ndërrimit të kandidatëve në mes të garës elektorale. Kjo mbrëmje e parë ishte konceptuar si një kalim i stafetës tek kandidatja e përzgjedhur nga vetë Presidenti Biden, megjithëse fillimisht si vetëm zëvendëse e tij.

Dukshëm i prekur pas fjalimeve të bashkëshortes së tij, Zonjës së Parë Jill Biden dhe vajzës së tij Ashley Biden, presidenti foli përpara delegatëve, që e pritën me ovacione të zgjatura, duke bërë thirrje për të votuar për kandidaten demokrate për presidente, Kamala Harris. Ai rikujtoi momentet e vështira kur pati bërë betimin për të marrë detyrën e presidentit, mes periudhës së vështirë të pandemisë dhe atyre që i quajti kërcënime ndaj demokracisë amerikane.

Besoja atëherë dhe besoj tani, se progresi ishte dhe është i mundur, ashtu siç është i arritshëm dhe se ditët tona më të mira janë ende përpara”, tha Presidenti Biden. “Dimrin e kemi lënë pas. Qëndroj përpara jush me zemër mirënjohëse për të raportuar se demokracia ka mbizotëruar. Demokracia”.

Presidenti Biden përsëriti thënien e tij se “jemi në një betejë për vetë shpirtin e kombit amerikan”.

Kandidova në vitin 2020 për shkak të atyre çfarë pashë në Charlottesville në gusht 2017, kur ekstremistët u shfaqën me pishtarë në duar, me simbole naziste dhe me slogane anti-semite të dëgjuara në Gjermaninë e viteve 1930, supremacistë të bardhë, të inkurajuar nga presidenti në Shtëpinë e Bardhë që e shikonin si aleatin e tyre”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se kandidoi për një Amerikë me shanse të barabarta për të gjithë, të vendosur për të lëvizur përpara dhe për të mos u rikthyer tek urrejtja dhe dhuna e çfarëdolloj forme.

Pasi radhiti arritjet për programet sociale, përfaqësimin e pakicave në gjyqësor, rikonsolidimin e ekonomisë të goditur nga pandemia, Presidenti Biden u zotua se ashtu si ai vetë, edhe zonja Harris do t’u kundërvihet në skenën ndërkombëtare regjimeve totalitare.

“Asnjë komandant i përgjithshëm nuk duhet të përkulet përpara një diktatori siç vepron Trump-i me Putinin. Unë nuk e kam bërë kurrë këtë dhe ju premtoj se Kamala Harris nuk do ta bëjë këtë kurrë”, tha Presidenti Biden.

Ai e kritikoi ashpër kandidatin republikan për president, Donald Trump, se e la Evropën dhe NATO-n në gjendje të dobësuar dhe se u desh shumë punë për ta forcuar Evropën sërish dhe madje për ta zgjeruar NATO-n me anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë.

Presidenti Biden tha se Presidenti Putin mendonte se do ta merrte kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, brenda tre ditëve. “Tre vite më vonë, Ukraina është ende e lirë“, tha Presidenti Biden.

Presidenti përmendi se kur mori detyrën, pritshmëria e përgjithshme ishte se Kina do t’ia kalonte në mënyrë të pashmangshme Shteteve të Bashkuara, por se kjo prishmëri nuk dëgjohet më e tillë. Ai vuri në dukje punën e bërë për t’i dhënë fund luftës në Gazë nëpërmjet një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin.

Presidenti Biden duke folur në Kuvendin e Partisë Demokrate (Çikago, 19 gusht 2024)

Presidenti Biden duke folur në Kuvendin e Partisë Demokrate (Çikago, 19 gusht 2024)

Duke denoncuar dhunën ndaj Kapitolit më 6 janar 2021, Presidenti Biden tha se ish-Presidenti Trump nuk do e pranojë rezultatin e zgjedhjeve nëse nuk i fiton ato. Duke bërë thirrje që të votohet për kandidaten demokrate për presidente dhe kandidatët demokratë për në Kongres, ai vlerësoi karakterin e zonjës Harris, duke thënë se ajo do të jetë një presidente historike për të cilën do të jemi të gjithë krenarë.

Pak më herët, zonja Harris i bëri një surprizë delegatëve duke u shfaqur vetë në skenë mbrëmjen e së hënës, duke i paraprirë kështu mesazhit të Presidentit Biden.

Joe, faleminderit për udhëheqjen tënde historike, për një jetë të tërë në shërbim të vendit tonë, dhe për gjithçka tjetër që do të vazhdosh të bësh”, tha ajo. “Të jemi mirënjohës përgjithmonë”.

Zonja Harris në skenën e kuvendit

Zonja Harris në skenën e kuvendit

Një mesazh mbështetjeje u dha më herët edhe nga ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton. Ajo përshëndeti Presidentin Biden për vendimin e tij, duke thënë se “tashmë po shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Amerikës”.

Zonja Clinton, e cila ishte bërë gruaja e parë kandidate për presidente e një partie kryesore në Shtetet e Bashkuara, bëri thirrje për zgjedhjen e zonjës Harris si presidentja e 47-të e Shteteve të Bashkuara. Duke iu referuar betejës për përfaqësimin e grave në politikë, ajo tha se “kur një barrierë rrëzohet për një prej nesh, e hap rrugën për të gjithë ne të tjerët”.

Hillary Clinton duke folur gjatë Kuvendit të Partisë Demokrate (Çikago, 19 gusht 2024)

Hillary Clinton duke folur gjatë Kuvendit të Partisë Demokrate (Çikago, 19 gusht 2024)

Demokratët shpresojnë që kuvendi gati njëjavor do të forcojë pozitat e zonjës Harris në përballjen me kandidatin republikan Donald Trump, rikthimi i të cilit në garë shihet nga demokratët si një rrezik ekzistencial. Duke u bërë kandidate për presidente vetëm rreth një muaj më parë, zonjës Harris i duhet tashmë të fitojë mbështetjen e një vendi të ndarë, që e sheh atë më pozitivisht, por që ende nuk ka marrë një vendim për zgjedhjet e ardhshme.

Kurti në SHBA për Konventën Kombëtare Demokratike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, e cila fillon sot.

Zyra e Kurtit njoftoi se ai do të jetë pjesëmarrës dhe në një panel diskutimi me titull “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”.

“Paneli do të hapet nga kryesuesi i bordit drejtues të NDI, Tom Daschle, dhe do të moderohet nga Presidentja e NDI, Tamara Wittes, e ku ndër të tjerë pjesë e panelit do të jetë dhe ish-Sekretari i NATO-s, Lord George Robertson dhe Donna Brazile, ish-drejtuese e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe tashmë pjesë e bordit të NDI”, thuhet në njoftim.

Konventa Kombëtare e demokratëve nis më 19 gusht në Çikago, më pak se një muaj pas largimit të pritur të presidentit aktual, Joe Biden, nga gara presidenciale.

Kjo ngjarje, që do të shfaqet nëpër televizione, i ofron mundësinë nënpresidentes Kamala Harris, tashmë e konfirmuar si e nominuara e demokratëve për president, që t’i prezantojë qëndrimet e veta para një audience kombëtare.

Javën e kaluar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffery Hovenier, tha se Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, duke shtuar ky institut i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës.

“Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, tha Hovenier.

Ndërkohë, zyra e Kurtit tha se kryeministri do të ketë edhe takime të ndryshme dypalëshe gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, pa dhënë hollësi të tjera.

Kurti udhëton për në SHBA në një kohë kur Uashingtoni po inkurajon Qeverinë e Kosovës që t’i kthehet “angazhimit konstruktiv” me të, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

SHBA-ja ka shprehur zhgënjim me vendimin e fundit të autoriteteve në Kosovë për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës, që sipas zyrtarëve në Kosovë, punonin pa licencë.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, deklaroi më 7 gusht se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë që Uashingtoni i ka ndihmuar që të krijojë.

SHBA-ja e ka kundërshtuar gjithashtu synimin e Qeverisë së Kurtit për hapjen në këtë kohë të urës mbi lumin Ibër për qarkullim edhe të automjeteve – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe. REL

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate në Çikago

VOA/Ken Bredemeier

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate nis punimet mbrëmjen e së hënës në qytetin e Çikagos. Gjatë aktivitetit katërditor, që shënon pikën kulmore për demokratët, pritet të mbahen fjalime në mbështetje të kandidates për Shtëpinë e Bardhë, Kamala Harris, por nuk do të mungojnë dhe sulmet ndaj kundërshtarit të saj republikan, Donald Trump.

Demokratët kanë zgjedhur drejtuesit më të lartë në vend dhe një sërë figurash të spikatura për të mbajtur fjalime në mbështetje të kandidates së tyre për Shtëpinë e Bardhë. Kamala Harris u bë pjesë e garës presidenciale më pak se një muaj më parë pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden mes një trysnie në rritje në radhët e udhëheqësve të Partisë Demokrate.

Presidenti demokrat u paraqit dobët në një debat me rivalin republikan, Donald Trump në fund të qershorit, ndërsa rënia e mbështetjes në sondazhe tregoi se ai kishte të ngjarë të humbiste përballë pararendësit të tij.

Presidenti Biden, 81 vjeç, shprehu mbështetjen për Nënpresidenten Harris e cila është 59 vjeçe. Zoti Biden do të flasë të hënën në kuvend për t’u treguar 4,000 delegatëve dhe audiencës se pse ajo e meriton ta pasojë atë duke u bërë presidentja e 47 e vendit.

Nëse fiton, Kamala Harris do të bëhet presidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, dhe udhëheqësja e dytë me origjinë afrikano-amerikane që drejton Shtëpinë e Bardhë. Ajo ka edhe origjinë indiane. Në vitin 2009, demokrati Barack Obama bëri betimin si presidenti i 44 i Shteteve të Bashkuara dhe udhëhoqi vendin deri në janar të vitit 2017, duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Por më e rëndësishmja për demokratët është se një sërë sondazhesh kombëtare tregojnë se zonja Harris aktualisht gëzon më shumë mbështetje se rivali i saj republikan dhe udhëheq në shtetet fushëbetejë, që kanë të ngjarë të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane.

Zoti Obama do të flasë në kuvend të martën ndërsa ish Presidenti Bill Clinton do t’u drejtohet delegatëve të mërkurën. Nënpresidentja Harris do të mbajë fjalimin e saj të enjten, natën e fundit të kuvendit, ku do të pranojë zyrtarisht emërimin e Partisë Demokrate si kandidate për postin e presidentes së Shteteve të Bashkuara.

Në fillim të muajit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris dhe kandidati për nënpresident, Tim Walz, siguruan emërimin përmes një votimi elektronik.

Gjatëdhjetë vjeçari Tim Walz, i cili është në mandatin e dytë si guvernator i Minesotës, ka qenë mësues në shkollë të mesme dhe ka shërbyer për 12 vjet si ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit të tij.

Gjatë 5 viteve e gjysmë në krye të Minesotës, ai ka zbatuar një axhendë liberale, por ishte pak i njohur në qarqet e politikës amerikane deri para përzgjedhjes së tij nga zonja Harris për të kandiduar për Shtëpinë e Bardhë. Ai u përzgjodh përballë dy figurave më të njohura demokrate. Këshilltarët thonë se zonja Harris mendon se ai është figura më e përshtatshme për të bashkëpunuar nëse i fiton zgjedhjet e 5 nëntorit.

Demokratët që mendonin se Presidenti Biden ishte shumë i moshuar për të kandiduar, jo më të shërbente për katër vjet të tjera, shprehën menjëherë mbështetjen për zonjën Harris. Presidenti Biden është tre vjet më i madh në moshë se republikani Donald Trump.

Megjithëse Kamala Harris ka përfaqësuar në të kaluarën Kaliforninë në Senatin amerikan dhe aktualisht është Nënpresidente e Shteteve të Bashkuara, sikurse zoti Walz, është deri diku një figurë e panjohur për publikun amerikan.

Për shumë votues amerikanë, fjalimi për pranimin e emërimit mund të jetë hera e parë që e dëgjojnë atë të flasë pas një kohë të gjatë.

Që nga momenti që u mori stafetën për garën presidenciale, zonja Harris u është përgjigjur vetëm në pak raste pyetjeve të gazetarëve që mbulojnë fushatën e saj.

Ajo ka refuzuar të zhvillojë një konferencë të gjerë për shtypin ose të intervistohet nga një gazetar apo gazetare me peshë në televizionet kryesore amerikane. Ajo ka thënë se do të zhvillojë intervista të tilla në fund të gushtit.

Zonja Harris ka tërhequr mijëra mbështetës nëpër tubime në shtetet fushëbeteja, duke përcjellë mesazhe të shkruara me kujdes, dhe kujtuar votuesve se ajo e filloi karrierën politike si prokurore lokale dhe më pas u bë prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.

“Në këto detyra, jam ndeshur me individë të të gjitha llojeve. Pra më kuptoni kur them se e njoh llojin e Donald Trump-it”, tha ajo gjatë një fjalimi.

Një juri e shpalli zotin Trump përgjegjës në çështjet civile për abuzim seksual me një grua dhe më pas shpifje ndaj saj, ndërsa një juri tjetër në maj e shpalli atë fajtor për 34 akuza penale që lidhen me pagesën e parave për të blerë heshtjen e aktoreje të filmave pornografikë.

Në fillim të vitit, një gjykatës arriti në përfundimin se zoti Trump i kishte manipuluar të dhënat e biznesit për të siguruar kredi të favorshme nga bankat dhe tarifa të leverdishme nga kompanitë e sigurimeve dhe e urdhëroi atë të paguante një dëmshpërblim prej rreth 300 milionë dollarë.

Republikani Trump e ka sulmuar ashpër rivalen Harris si një intelektuale e peshës së lehtë. Ai ka thënë se zonja Harris nuk është e zgjuar sa duhet për t’u përballur me pyetjet e vështira të gazetarëve.

Disa republikanë i kanë kërkuar zotit Trump që të heq dorë nga sulmet personale ndaj zonjës Harris dhe të vërë në shënjestër politikat e saj, por ai nuk ka pranuar.

“Unë kam të drejtë për sulme personale”, tha ai për gazetarët të enjten. “Duhet ta bëj sipas mënyrës sime”.

Ndërsa shumica e delegatëve në kuvend janë rreshtuar plotësisht pas zonjës Harris, disa dhjetëra të tjerë kanë thënë se janë “të pavendosur” për kandidaturën e saj, në shenjë proteste ndaj mbështetjes së administratës së Presidentit Biden për Izraelin në luftën e tij kundër militantëve të Hamasit në Gaza.

Demokratja Harris e ka mbështetur gjerësisht Izraelin, ndërsa ka bërë thirrje për një armëpushim në luftën 10-mujore. Ajo ka refuzuar të mbështesë një nga kërkesat e disa prej delegatëve pro-palestinezë, embargon e ndihmave ushtarake për Izraelin.


Send this to a friend