VOAL

VOAL

Biden synon t’i dërgojë një mesazh Kinës ndërsa viziton Korenë e Jugut, Japoninë

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden u nis për në Korenë e Jugut dhe Japoni në një udhëtim gjashtë-ditor që synon ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me udhëheqësit e vendeve aziatike.

Presidenti Biden do të përpiqet t’i dërgojë një mesazh Kinës se sulmi i zbrapsur i Rusisë në Ukrainë duhet t’i japë Pekinit një prespektivë të re në lidhje me mundësinë e goditjeve të tij në Paqësor. Presidenti Biden u nis të enjten dhe do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida. Bisedimet e tyre do të prekin tregtinë, zinxhirin global të furnizimit dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut. Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me udhëheqësit e aleancës së njohur si Quad, e cila përfshin Japoninë, Australinë dhe Indinë.

SHBA nën drejtimin e administrates Biden kanë krijuar një front të bashkuar me aleatët demokratë që ka kombinuar fuqinë e tyre ekonomike për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim për sulmin e saj në Ukrainë. Kjo aleancë përfshin Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Por edhe pse presidenti Biden do të pritet nga presidenti Yoon në një darkë shtetërore dhe do të zhvillojë biseda intime me kryeministrin Kishida, presidenti amerikan është i vetëdijshëm se këto marrëdhënie duhet të thellohen nëse duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se udhëtimi do të “tregojë se Shtetet e Bashkuara mundën të udhëheqin menjëherë botën e lirë në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe në të njëjtën kohë do të përcaktojnë një kurs për udhëheqje efektive, parimore dhe angazhim amerikan në rajon për shekullin e 21-të”.

Lufta në Evropën Lindore ka krijuar një ndjenjë urgjence rreth Kinës mes aleatëve kryesorë të SHBA-së në Paqësor. Shumë prej tyre e kanë parë këtë moment si krizën e tyre ekzistenciale – një krizë në të cilën është kritike t’i tregohet Kinës se nuk duhet të përpiqet të pushtojë territoret e kontestuara përmes veprimeve ushtarake.

Një pasqyrim i asaj se si presidenti Biden është përpjekur të balancojë çështjet e sigurisë në çdo hemisferë, ishte fakti se pak para nisjes për në Azi, ai priti kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë për të treguar mbështetjen për kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO.

“Aleancat e Amerikës në Evropë dhe në Azi na mbajnë ne – dhe do të argumentoja gjithë botën – të fortë dhe të sigurt,” tha presidenti Biden në Kopshtin e Trëndafilave. “Ato janë mënyra se si ne përballemi me sfidat e kohës sonë dhe ofrojmë për njerëzit tanë mundësitë për një të ardhme më të mirë.”

Udhëtimi jashtë shtetit i presidentit Bidenit vjen ndërsa ai përballet me sfida të forta të brendshme: një mungesë qumështi industrial për foshnjet, inflacion që shkatërron buxhetin, një numër në rritje të infeksioneve COVID-19 dhe padurim në rritje midis një baze demokrate që përgatitet për një vendim të Gjykatës së Lartë që ka të ngjarë të rezultojë në një përmbysje të së drejtës të abortit.

Biden: SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

VOA

Presidenti amerikan Joe Biden takoi në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto dhe Kryeministren suedeze Magdalena Andersson, për bisedime rreth kërkesës së vendeve të tyre për anëtarësim në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Në një konferencë pas takimit, zoti Biden tha se ShBA mbështesin fuqishëm anëtarësimin e vendeve nordike në aleancën ushtarake.

“Sot nuk ka dilema. Aleanca e NATO-s është e rëndësishme, është e efektshme dhe është më e nevojshme se kurrë. Aleanca është sot më e domosdoshme se më parë dhe do të thoja edhe për të ardhmen. Vendimi i Finlandës dhe Suedisë është dëshmi e këtij përkushtimi. Kjo është për të ardhmen. Është për një NATO të ringjallur që ka mjetet dhe burimet, qartësinë dhe bindjen për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të udhëhequr botën”, tha Presidenti Biden.

Kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, erdhën pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti amerikan shtoi se si Finlanda ashtu edhe Suedia plotësojnë të gjitha kushtet e duhura për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake. Presidenti tha se do të dorëzojë sot në Kongres kërkesën e dy vendeve për ratifikim.

Suedia dhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjet nëse NATO shton praninë e saj ushtarake në Finlandë dhe Suedi, menjëherë pasi dy vendet nordike deklaruan të dielën se duan t’i bashkohen aleancës së dominuar nga ShBA.

Dy vendet do të përfitonin nga Neni 5 i aleancës, që parashikon që një sulm ndaj një vendi konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve, pasi të jerë anëtarësuar plotësisht.

Disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë dhënë shenja se janë gati të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë vendet nordike gjatë kohës së shqyrtimit të anëtarësimit të tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon miratimin konsensual të të gjithë anëtarëve.

SHBA rihap ambasadën në Kiev

RFE/RL

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për tre muaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Populli ukrainas, me ndihmën tonë të sigurisë, kanë mbrojtur atdheun e tyre përballë pushtimit të pajustifikuar të Rusisë dhe, si rezultat, Yjet dhe Shiritat po valëviten përsëri mbi ambasadë”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken.

“Ne qëndrojmë me krenari përkrah, dhe vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë atdheun e tyre nga lufta dhe agresioni brutal i Kremlinit”.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbylli ambasadën në Kiev më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës dhe për të instaluar një tjetër në përputhje me politikën e Moskës.

Diplomatët amerikanë vazhduan të ofronin shërbime nga qyteti perëndimor i Lvivit, ndonjëherë duke qëndruar gjatë natës në Poloninë fqinje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Kthimi në Kiev erdhi disa javë pasi forcat ukrainase mposhtën përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e Ukrainës veriore dhe kryeqytetit, ndërsa lufta u përqendrua në lindje dhe jug të vendit.

“Teksa ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, ne kemi paraqitur masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve tanë që po kthehen në Kiev dhe kemi përmirësuar masat dhe protokollet tona të sigurisë”, tha Blinken.

Seancë dëgjimore në Kongres lidhur me UFO-t

VOA

Kongresi amerikan zhvilloi të martën një seancë dëgjimore lidhur me provat e egzistencës së objekteve fluturake të paidentifikuara, shkurtimisht UFO. Kjo është hera e parë në 50 vjet që Kongresi i kushton vëmendje kësaj çështje. Sidoqoftë, vëmendja është pëqëndruar tek kërcënimi që paraqesin këto objekte për sigurinë kombëtare, jo nga qënie të një bote tjetër, por nga kundërshtarë të mundshëm në Tokë.

Për herë të parë pas 50 vjetësh çështja e UFO-ve është rikthyer tek vëmendja e ligjvënësve amerikanë, të cilët thonë se përbën shqetësim për sigurinë kombëtare. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes thotë se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj çështjeje ndërsa përballet me sfida.

“Çdo vëzhgim i regjistruar mund të jetë i shkurtër, ose më i gjatë. Mund të jetë i filmuar, ose mund të mos jetë. Mund të jetë i vëzhgueshëm nga një objektiv, ose shumë burime. Me pak fjalë, është e vështirë të kemi një shpjegim. Për shembull, videoja e parë, që po paraqes, tregon vëzhgimin në kohë reale”, tha Scott Bray, Zëvendësdrejtor i Zbulimit të Marinës amerikane.

Pamje të filmuara nga një avion luftarak amerikan tregojnë një objekt fluturues të paidentifikueshëm.

“Siç shihet, këto janë provat që kemi dhe në disa raste vëzhgimet janë akoma më të pakta”, tha zoti Bray.

Seanca vjen pothuajse një vit pasi një raport qeveritar dokumentoi më shumë se 140 raste të fenomeneve ajrore të paidentifikuara të vëzhguara nga pilotë të ushtrisë amerikane që nga viti 2004.

Çështja e jashtëtokësorëve është stigmatizuar prej shumë vitesh. Ronald Moultre, Nënsekretar i Mbrojtjes për çështjet e zbulimit, tha se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së UFO-ve dhe të inkurajojë pilotët dhe personelin ushtarak, që të raportojnë çdo gjë të pazakontë që mund të shohin.

Seanca dëgjimore u përqendrua tek mundësia që kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë teknologji sekrete, që mund të interpretohet si UFO dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

Jim Richardson, CEO pranë ish Sekretarit të Shtetit: “Ai është treguar i sjellshëm, fotot s’janë mbështetje ndaj ndonjë lideri a grupimi politik”

Kur Evi Kokalari e pyet Jim Richardson, Drejtor Ekzekutiv pranë ish Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo rreth fotove të bëra gjatë takimit, ku z. Pompeo dilte në mes katër deputetëve të shpartalluar nga votimi i bazës të PD që kanë humbur çdo post, veç atij të deputetit, pra nuk kanë asnjë funksion në PD, Jim Richardson përgjigjet: “Përshëndetje Evi, Sekretari Pompeo ka bërë një seri fotografish me të gjithë të pranishmit në dhomë gjatë MOU Memorandumit të Mirëkuptimit. Dakordësia e tij për të bërë foto nuk lidhet dhe nuk është e barabartë me miratim apo mbështetje ndaj ndonjë lideri ose grupimi politik. Thjeshtë, ai është treguar i sjellshëm gjatë këtij eventi të rëndësishëm.”

 

 

 

Kokalari: Pompeo, vizitë private në Tiranë në këmbim të shumës së majme

Ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, po viziton Tiranën. Ndërkohë aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari shkruan se kjo është një vizitë private e Pompeos.

POSTIMI I PLOTE

Disa gjëra që duhet të keni parasysh nga vizita e Mike Pompeos në Tiranë.

1. Mike Pompeo është në Shqipëri në kapacitetin e një personi privat dhe kjo nuk është vizitë zyrtare.

2. Mike Pompeo është në Tiranë për të dhënë një fjalim tek një komunitet jo-shqiptar, të cilën po e bën në këmbim të një shumë të majme parash, dhe nuk ka ardhur as për qeverinë e Ramës, as për opozitën fallco me seli te Rruga e Elbasanit, dhe as për 100 vjetorin e miqësisë midis Shqipërisë dhe Amerikës.

3. Ardhja e tij është koordinuar me ambasadën siç bëhet zakonisht në këto raste dhe zonja Kim ka organizuar disa evente për të, ku hyn dhe konferenca me grupin parlamentar sot, si dhe një çmim te organizuar nga UT dhe kjo me pagesë.

Mos bini pre e filmave që duan t’ju shesin në mbështetje të luftës kundër opozitës shqiptare. Z. Pompeo i është dërguar një shpjegim i detajuar i ngjarjeve politike të fundit në Shqipëri dhe nuk është këtu për të përkrahur axhendën politike të askujt.

Për arsye sigurie, informacionet e tjera mund t’i shkruaj mbas largimit të tij nga Shqipëria. syri.net

Bideni mbështet “derën e hapur” të NATO-s për Suedinë dhe Finlandën

RFE/RL

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka theksuar “bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë dhe mbrojtjes” midis Shteteve të Bashkuara, Finlandës dhe Suedisë në një telefonatë të përbashkët me liderët e këtyre vendeve më 13 maj, në të cilën ai inkurajoi gjithashtu anëtarësimin e tyre në NATO.

Një njoftim nga Shtëpia e Bardhë tha se Biden gjithashtu “përsëriti angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar koordinimin në mbështetje të Ukrainës dhe popullit ukrainas të prekur nga lufta”.

Ai bisedoi me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez, Sauli Ninisto.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë më vonë se po kërkonin sqarime mbi kundërshtimet e mundshme nga aleati i NATO-s, Turqia, ndaj anëtarësimit finlandez dhe suedez.

Qeveritë suedeze dhe finlandeze këtë javë kanë paraqitur plane për të angazhuar vendet e tyre që të aplikojnë për anëtarësim në NATO sa më shpejt, si rezultat i kërcënimit të parashikuar nga Moska.

“Presidenti Biden nënvizoi mbështetjen e tij për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe për të drejtën e Finlandës dhe Suedisë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, politikën e jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Shumë anëtarë të aleancës kanë shprehur tashmë mbështetje për aplikimet nga Suedia dhe Finlanda, të cilat tradicionalisht kanë mbetur neutrale.

Por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan më 13 maj tha se ai nuk kishte një “mendim pozitiv” për anëtarësimin e tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon mbështetje unanime midis 30 vendeve anëtare.

Disa orë pas komentit të Erdoganit, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se “po punonin për të sqaruar pozicionin e Turqisë” në lidhje me Suedinë dhe Finlandën.

“Asgjë nuk ndryshon në lidhje me qëndrimin e tyre në aleancën e NATO-s,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby. “Ne po punojmë për të qartësuar më mirë pozicionin [e tyre]”.

Finlanda, e cila ndan një kufi 1,340 kilometra dhe një të kaluar të trazuar me Rusinë, tha më 12 maj se duhet të aplikojë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s “pa vonesë”.

Ndërkaq ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde tha se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte një efekt stabilizues dhe do të ishte me përfitim të gjitha shtetet e detit Baltik.

DASH: Kosova dhe Serbia i zgjedhin vetë prioritetet për politikë të jashtme

RFE/RL

“Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane, të cilat kanë të drejtë të zgjedhin vetë prioritetet e tyre për politikë të jashtme”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka bërë këtë deklaratë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova, duke bërë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit.

Në shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.

Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës si shtet.

Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar, por Departamenti amerikan i Shtetit ka inkurajuar më herët Kosovën dhe Serbinë që t’i vazhdojnë ato për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Moratoriumi ka pasur synim të rrisë hapësirën për bisedime dhe kompromis mes Kosovës dhe Serbisë, çka ne besojmë se përbën interes strategjik për të dyja shtetet”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

“Ne vazhdojmë të besojmë se dialogu për normalizim të marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, është kyç për të dyja shtetet, në mënyrë që t’i hapin rrugë të ardhmes evropiane. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje urgjente, fleksibile dhe serioze në këtë proces”, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Pasi zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj, presidenti Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se Prishtina “ka shkelur brutalisht” Marrëveshjen e Uashingtonit.

“Pas gati dhjetë vjetëve të shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit, ata kanë shkelur edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, derisa rezoluta 1244 nuk është respektuar kurrë nga udhëheqësit e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Për shkak të vendimit të Kosovës, presidenti serb do të mbajë një takim me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të premten, 13 maj.

Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, është nënshkruar në prani të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Guvernatori Republikan i Floridës Ron DeSantis nënshkruan projektligjin që e shpall 7 Nëntorin “Ditën e Viktimave të Komunizmit” Nga Elida Buçpapaj

Në majin e vitit të shkuar Shteti i Teksasit votoi për të caktuar 7 Nëntorin si “Ditën Përkujtimore të Viktimave të Komunizmit” në kujtim dhe nderim të atyre që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nën regjimet komuniste.

Anëtarja e Këshillit të VOC (Victims Of Communism) është edhe banorja e Teksasit, Dr. Elida Dakoli e cila dha një dëshmi të fuqishme përpara Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit në rrëfimin e përvojave tragjike të familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

«Kur ​​gjyshi im refuzoi t’ia dorëzonte pasurinë partisë komuniste, ai u burgos, shtëpitë e tij u shkatërruan dhe gjyshja ime me katër fëmijët e saj të vegjël të moshës 1-12 vjeç – përfshirë babanë tim – u hodhën në rrugë pa asgjë Vëllai i saj e strehoi me guxiom gjyshen time dhe fëmijët, por gjyshi im u vra në burg. Ne ende nuk e dimë se ku është varri i tij. Përndjekja e anëtarëve të familjes sime vazhdoi për katër breza. ”

Përveç Texas-it ishin edhe shtetet e Alabama-s, Utah, Virginia që kishin miratuar rezoluta për të njohur zyrtarisht 7 nëntorin si “Dita Përkujtimore e Viktimave të Komunizmit”. Shteti i Virginia ishte i pari që në mars të 2018 njohu 7 Nëntorin si “Victims of Communism Memorial Day”. Pritet e njëjta gjë edhe nga nëntë shtete të tjera si Arizona, Arkansas, Florida, Idaho, Illinois, Misuri, New Jersey, Pennsylvania dhe Carolina e Jugut.

Dhe ja më 9 maj Guvernatori Republikan i Floridës Ron DeSantis  nënshkroi Projektligjin e Dhomës së Përfaqësuesve (HB) 395, duke e caktuar 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” për të nderuar qindra miliona njerëz që kanë vuajtur nën regjimet komuniste në mbarë botën. Guvernatori njoftoi gjithashtu se ai do të miratojë 25 milionë dollarë në buxhet për të mbështetur rinovimet dhe restaurimin e Kullës historike të Lirisë në qendër të Majamit.

Në faqen zyrtare të Guvernatorit RonDeSantis lexojmë: “Nderimi i njerëzve që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste dhe mësimi nga studentët tanë për ato mizori është mënyra më e mirë për të siguruar që historia të mos përsëritet”, tha guvernatori Ron DeSantis. “Përmes HB 395 dhe financimit të shpallur sot, ne po garantojmë që historia e atyre që u vranë nga regjimet komuniste dhe përvojat e tyre të ruhen dhe të mos harrohen nga studentët tanë. Ndërsa është në modë në disa qarqe të llustrohet historia e komunizmit, Florida do të qëndrojë për të vërtetën dhe do të mbetet si Shteti Diellshkëlqyes.”

“Faleminderit Guvernator DeSantis, për udhëheqjen tuaj të vazhdueshme dhe Legjislativin për ofrimin e këtij financimi kritik për Kullën e Lirisë së Majamit dhe caktimin e 7 Nëntorit si Ditën e Viktimave të Komunizmit”, tha nën Guvernatoria Jeanette Nuñez. “Projektligji 395 edukon këtë brez fëmijësh dhe brezat e ardhshëm për ideologjinë, historinë dhe tmerret e komunizmit, në mënyrë që liria të mbetet gjithmonë e gjallë në shtetin e diellit.”

HB 395 përcakton 7 Nëntorin si “Ditën e Viktimave të Komunizmit” dhe u bën thirrje shkollave publike që ta respektojnë këtë ditë. Nxënësve të shkollave të mesme do t’ju kërkohet të marrin të paktën 45 minuta mësim mbi temat që lidhen me regjimet komuniste dhe se si kanë vuajtur viktimat nga këto regjime. Udhëzimet për këto tema do të kërkohen duke filluar nga viti shkollor 2023-2024, sqarohet më tutje në faqen elektronike të Guvernatorit të Floridës.

“Unë janë këtu sot për të folur në emër të 120,000 studentëve të Kolegjit Miami-Dade, 75% e të cilëve janë hispanikë dhe shumë prej prindërve dhe gjyshërve të tyre ikën nga komunizmi për t’u dhënë atyre mundësinë për të lindur këtu,” tha Madeline Pumariega, Presidente e Kolegji Dade në Miami. “Investimi juaj këtu siguron se edhe në njëqind vitet e ardhshme historia e prindërve të mi, e prindërve tanë dhe e gjyshërve tanë të tregohet vazhdimisht. Ne do të vazhdojmë të ruajmë trashëgiminë e atyre që njohim dhe atyre që nuk i njohim.”

“Korriku i ardhshëm do të shënojë dhjetëvjetorin e vrasjes së babait tim nga duart e regjimit kuban”, tha Rosa María Payá, Aktiviste Kubane për të Drejtat e Njeriut. “Siç kanë bërë mijëra kubanë më parë dhe ndërsa ne flasim sot, të paktën 1000 kubanë po vuajnë burgimin politik për marshimin paqësor duke kërkuar lirinë. Është koha të ndalet ky proces, kjo fabrikë e viktimave të komunizmit. E vlerësoj këtë iniciativë dhe faktin që po nderojmë viktimat e komunizmit duke u mësuar të rinjve të këqijat e komunizmit dhe detyrimin moral që kemi për ta ndalur atë.”

25 milionë dollarë financim do t’i jepen Kolegjit Miami-Dade për të mbështetur ruajtjen dhe përmirësimin e Kullës së Lirisë, aktualisht shtëpia e Muzeut të Artit dhe Dizajnit të Kolegjit Miami-Dade. pjesë e këtij Muzeumi është edhe Galeria e Trashëgimisë Kubane dhe Eksperiencën e Mërgimit që nderon trashëgiminë e amerikanëve kubanë. Kulla e Lirisë u përdor për Qendrën Kubane të Asistencës në vitet 1960 për të ndihmuar kubanezët që ikin nga regjimi komunist të kenë akses në burimet për jetën e tyre të re në Shtetet e Bashkuara.

Financimi do të përdoret për të përfunduar riparimet urgjente strukturore, për të ruajtur dhe restauruar komponentët arkitekturorë historikë, për të instaluar sistemin e ajrosjes dhe temperaturës dhe sistemet e sigurisë me standartet muzeale për të mbrojtur pjesët e vendosura në muze, për të përmirësuar ekspozitat e muzeut dhe për ta bërë ndërtesën më të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

SB 160 krijon një numër përcaktimesh nderi të objekteve të transportit në të gjithë Florida. Do të ketë 26 emërtime rrugësh në të gjithë shtetin, duke përfshirë tre emërtime për të nderuar kubanët që luftuan kundër regjimit të Kastros. Këto tre emërtime do të nderojnë Arturo Diaz Artiles dhe Oswaldo Paya përmes përcaktimeve të rrugëve në kontenë Miami-Dade si dhe Maximino dhe Coralia Capdevila përmes përcaktimeve të rrugëve në County Hillsborough.

Gjatë një konference për shtyp Guvernatori DeSantis tha se kjo ditë ka për qëllim “të nderojë më shumë se 100 milionë njerëz që kanë rënë viktimë e regjimeve komuniste në mbarë botën”.
“Ne duam të sigurohemi që çdo vit, njerëzit në Florida – por veçanërisht studentët tanë – do të mësojnë për të këqijat e komunizmit, diktatorët që kanë udhëhequr regjimet komuniste dhe qindra miliona individë që kanë vuajtur dhe vazhdojnë të vuajnë nën peshën e kësaj ideologjie të diskredituar”, tha ai.

Ndërsa në Twitter doli me këtë tweet:

“Sot, caktova 7 Nëntorin si Ditën e Viktimave të Komunizmit për të nderuar ata që kanë vuajtur nën komunizëm dhe për t’u kujtuar njerëzve shkatërrimin që komunizmi ka shkaktuar në mbarë botën, duke përfshirë një numër të viktimave që i kalon 100 milionë. Në Florida, do të tregojmë të vërtetën për komunizmin.”, me këtë tweet doli në Twitter Guvernatori Republikan Ron DeSantis.

 

 

240 mijë shqiptarë në pritje: Sot dalin përgjigjet e Lotarisë Amerikane

Të gjithë personat që kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane do të marrin sot përgjigje.

Duke nisur nga ora 18.00, shqiptarët mund të mësojnë nëse janë përzgjedhur si fitues apo jo. Siç njofton edhe Departamenti i Shtetit i SHBA, Çështjet Konsullore, për t’u interesuar rreth aplikimit tuaj mund të klikoni këtu.

Pasi të ndodheni në uebfaqen e Departamentit të Shtetit, duhet të klikoni mbi butonin “check status” e më pas të vendosni kodin unik që u është dhënë në tetor kur keni bërë edhe aplikimin.

Përzgjedhja bëhet në mënyrë rastësore përmes një shorti kompjuterik.

Në pritje për përzgjedhjen janë rreth 240 mijë shqiptarë.

Një dramë e shoqërisë sonë është emigrimi i shqiptarëve, sidomos i rinisë.

Shqipëria po shpopullohet çdo vit e më shumë teksa të shumtë shqiptarë tentojnë të gjejnë ”shtëpinë” e tyre diku tjetër.

Për qindra mijëra shqiptarë, të pakënëquar me kushtet në vend dhe mënyrën e qeverisjes, çdo vit kërkojnë të largohen dhe një mundësi shohin edhe lotarinë amerikane.

Raportet e hërëpashershme të institucioneve vendase e të huaja zbulojnë një braktisje masive të vendit kryesisht nga të rinjtë. Problematika është vënë shpesh herë në pah, megjithatë nga qeveria nuk duket të ketë ndonjë përpjekje reale në zbutjen e kësaj plage të shoqërsisë./BN

SHBA, ndihma të reja ushtarake për Kievin

VOAL- Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten se do të dërgojnë ndihma të reja ushtarake në Ukrainë në vlerë prej 150 milionë dollarësh, kryesisht të shpenzuara për municion artilerie dhe radarë. Fondi për dërgimin e armëve në Kiev, paralajmëron Uashingtoni, megjithatë po mbaron.

Për më tepër, “Kongresi duhet të zhbllokojë shpejt” kërkesën për një fond ndihme prej 33 miliardë dollarësh, theksoi Biden, duke iu referuar ndihmës ekonomike të premtuar nga ana e Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën. Ndihma që përfshin 20 miliardë në ndihmë ushtarake, 8.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike për të ndihmuar në ruajtjen e funksionimit të qeverisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe 3 miliardë dollarë për ushqim dhe programe humanitare për të ndihmuar civilët.

Ndërkohë sot, të shtunë, rreth pesëdhjetë civilë u evakuuan nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol, sipas raportimeve të mediave ruse. Një autobus i ri me 13 civilë në bord e la uzinën nën rrethim, ndërsa Tass raporton një automjet të katërt gati për t’u nisur përpara se korridori humanitar të mbyllet në mbrëmje. rsi-eb

Sekretari i Shtetit Blinken me Covid

VOA

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rezultoi pozitiv me Covid-19 të mërkurën, duke patur siptoma të lehta, sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit.

Kryediplomati amerikan i ka bërë të dyja vaksinat, si dhe dozën përforcuese dhe nuk është takuar drejtpërdrejt me Presidentin Biden prej disa ditësh dhe sipas Departamentit të Shtetit, nuk konsiderohet person që ka patur kontakt të afërt me presidentin.

“Sekretari do të izolohet në shtëpi dhe do të vazhdojë punën normalisht. Ai do të rikthehet në zyrë dhe do të rifillojë orarin e plotë dhe udhëtimet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim.

Sekretari Blinken kishte bërë dy teste të tjera, një të të martën dhe një të mërkurën në mëngjes dhe të dyja ishin negative, para se të testonte pozitiv më vonë të mërkurën. Ai kishte marrë pjesë në darkën zyrtare të korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë gjatë fundjavës, një ceremoni e përvitshme, ku marrin pjesë figura të shquara të shtypit dhe politikës dhe numri arrin në disa mijëra vetë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ned Price tha, se departamenti po njofton të gjithë individët me të cilët Sekretari ka patur kontakt të afërt gjatë ditëve të fundit.

Zoti Blinken u takua me Ministren e Jashtme të Suedisë Ann Linde të mërkurën paradite, si dhe me homologun nga Meksika, Marcelo Ebrad të martën.

Zëdhënësi Ned Price, i cili takohet rregullisht me Sekretarin Blinken, tha se ai bëri testin dhe kishte dalë negativ të mërkurën.

Një fjalim i rëndësishëm i Sekretarit Blinken për politikën e administratës ndaj Kinës, i planifikuar për të enjten, u shty.

Biden emëron kreun e ri të Komandës Amerikane në Europë

Gjenerali Christopher Cavoli, i cili momentalisht mban detyrën e shefit të forcave të ushtrisë amerikane në Europë dhe Afrikë, është emëruar nga Presidenti Joe Biden për të mbajtur postin e gjeneralit kryesor amerikan në Europë, si kreu i Komandës Amerikane në Kontinentin e Vjetër.

Lajmin e konfirmoi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Nëse konfirmohet nga Senati, Cavoli do të marrë drejtimin e rreth 100 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në Europë, në një kohë kur prej më shumë se dy muajsh, Rusia vijon të mbajë trupat e saj në Ukrainë.

Një nga detyrat e gjeneralit Cavoli do të jetë edhe koordinimi i armatimeve dhe furnizimeve të tjera që do të marrë Ukraina, si edhe monitorimi i lëvizjeve ushtarake të Rusisë në Europë.

Komanda Amerikane në Europë është kujdesur që prej fillimit të luftës për sigurimin e funksionimit të të gjithë zinxhirit të dërgimit të armëve perëndimore në Ukrainë. Armatimet dërgohen në vendet kufitare, si Polonia dhe Rumania, e më pas merren nga personeli ushtarak ukrainas e futen brenda vendit përmes kamionëve apo trenave. Forcat amerikane në këtë njësi gjithashtu janë marrë edhe me trajnimin e ushtarëve ukrainas në përdorimin e sistemeve të artilerisë.

Cavoli do të zëvendësojë në këtë detyrë Gjeneralin e Forcave Ajrore, Tod Wolters, i cili do të dalë në pension. Cavoli flet rusisht dhe ka shërbyer si drejtori për Rusinë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane. Ai gjithashtu ka kryer misione në Afganistan dhe ka njohuri të zgjeruara për luftime dhe operacione ushtarake në terren./A2CNN

Një kompani amerikane prodhon dronë për ushtrinë e Ukrainës

Khrystyna Shevchenko

Një kompani me bazë në Siatëll të shtetit të Uashingtonit, po prodhon dronë speciale për të ndihmuar forcat e armatosura të Ukrainës. Dronët do të përdoren në misionet e kërkim-shpëtimit dhe mund të ofrojnë mundësi vëzhgimi në ato vende, ku është shumë e rrezikshme të dërgosh njerëz. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Khrystyna Shevchenko njofton.

Njëzet e dy vjeçari Blake Resnick, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë “BRINC” me bazë në Siatëll, vizitoi Poloninë në muajin mars për të dorëzuar personalisht dhjetë dronë, që ai shpreson se do të ndihmojnë ukrainasit të zmbrapsin ushtrinë e Rusisë.

Kompania e tij është një nga dhjetëra të tilla, të mëdha e të vogla, që po dërgojnë pajisje ushtarake në Ukrainë, për ta ndihmuar këtë vend në luftën kundër Moskës.

Çdo dron kushton rreth 15 mijë dollarë. Zoti Resnick ka zhvilluar disa seanca, ku ka dhënë udhëzime se si mund të përdoren këta dronë.

Dronët tanë po veprojnë në disa grupe misionesh në Ukrainë. E para janë operacionet e kërkim-shpëtimit, fluturimi mbi një ndërtesë, kërkimi i të mbijetuarve, përpjekja për të kuptuar nëse ndërtesa do të shembet më tej pas një sulmi. Po përdoren gjithashtu për të përcaktuar vendndodhjen e forcave ruse”, thotë zoti Resnick.

Fillimisht dronët u përdorën për të ndihmuar ekipet taktike në Shtetet e Bashkuara në situata barrikadash, pengmarrjeje apo personash të armatosur që rrezikojnë jetët e një numri të madh njerëzish. Ato nuk varen nga sistemet GPS, (një sistem që u ofron përdoruesve informacione mbi pozicionim, fluturimin apo kohën).

“Ne jemi në gjendje të depërtojmë më mirë në objekte, të fluturojmë më tej dhe nuk mbështetemi tek GPS-i. Kjo do të thotë, që ne mund të operojmë në mjedise, që e bëjnë të pamundur depërtimin e këtyre lloj sistemeve, sikurse janë ndërtesat e betonit. Ky dron është në thelb një celular fluturues. Pra, nëse arrin tek një i dyshuar, ose një person i dëmtuar, mund të telefononi dhe të bisedoni për të kuptuar situatën”, thotë Dmitry Tarasov, teknik i dronëve “BRINC”.

Dronët mund të funksionojnë në errësirë të plotë dhe madje mund të thyejnë xhamat e dritareve për të hyrë brenda një ndërtese.

Ata kanë një pjesë që thyen xhamin. Sapo e prek atë, ai thyhet dhe kjo mundëson futjen brenda në ndërtesë. Në kushte të tjera do të ishim detyruar ta hapnim me dorë. Thjesht ai ngjitet (droni) dhe vendoset brenda sekondash”, thotë zoti Tarasov.

Zoti Resnick nisi t’i projektonte këta dronë unikë kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Në vitin 2021, ai siguroi mbi 25 milionë dollarë investime për projektin e tij. Për të, ndihma dhënë Ukrainës dhe dhurimi i dronëve ishte një vendim i lehtë për shkak të origjinës së tij ukrainase.

Lufta e Ukrainës është krejtësisht morale. Ky është një nga konfliktet më bardhë e zi që kam parë gjatë gjithë jetës sime. Dhe duke e ditur se kjo është një fushë ku teknologjia mund të ndihmojë, u ndjeva shumë i motivuar, që të përpiqesha ta bëja këtë gjë“, thotë zoti Resnick.

Kompania “BRINC” planifikon të dhurojë edhe më shumë dronë për ushtrinë e Ukrainës dhe tashmë Blake Resnick po diskuton mbi këtë çështje me Ministrinë e Mbrojtjes së këtij vendi.

Biden rikthen festimet në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Fitër Bajramit

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden riktheu festimet në Shtëpinë e Bardhë me rastin e Fitër Bajramin një ditë që shënon fundin e Ramazanit, festime që paraardhësi i tij e kishte hequr nga axhenda.

Gjatë Ramazanit myslimanët në mbarë botën zakonisht agjerojnë deri në perëndim të diellit. Fundi i tij shpesh nënkupton mbledhjen për lutje, vizita tek familjarët e miqtë si dhe organizim festash familjare.

Duke iu drejtuar qindra të pranishmëve, Presidenti Biden tha se kishte premtuar në cilësinë e kandidatit për president se do të rikthente shënimin e Fitër Bajramit në Shtëpinë e Bardhë, por u detyrua të mbante një festë virtuale vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sot, në mbarë botën, ne kemi parë kaq shumë myslimanë që janë vënë në shënjestër nga dhuna. Askush nuk duhet të diskriminohet apo të shtypet për shkak të besimit të tij fetar”, zoti tha zoti Biden. “Duhet të pranojmë se mbetet shumë punë për të bërë, si këtu ashtu edhe jashtë vendit. Myslimanët e bëjnë kombin tonë më të fortë çdo ditë edhe pse ata ende përballen me sfida e kërcënime reale në shoqërinë tonë, përfshirë dhunën e qëllimtë dhe islamofobinë”, shtoi ai.

Presidentët amerikanë kanë zhvilluar festa me rastin e Fitër Bajramit prej administratës Klinton, përveç Donald Trump-it, i cili nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet zyrtar. Në vend të shënimit të festës, ai ka lëshuar deklarata sikurse ajo e vitit 2020, kur zoti Trump tha për myslimanët se “shpresonte që ata të gjenin ngushëllim e forcë në fuqitë shëruese të lutjes dhe përkushtimit”.

Talib Shareef, Imami i Xhamisë Muhamed në Uashington, që njihet nga disa si “Xhamia e Kombit”, tha gjatë veprimtarisë në Shtëpinë e Bardhë se ky takim ishte një deklaratë e rëndësishme për kombin dhe botën.

Një deklaratë se Islami është një pjesë e mirëpritur e kombit tonë së bashku me të gjitha traditat e tjera fetare“, tha zoti Sharef. “Dhe se zyra më e lartë në këtë tokë është e përkushtuar ndaj vlerave themelore të kombit tonë dhe ligjeve që mbrojnë lirinë fetare“, shtoi ai.

CIA publikon udhëzime si ta kontaktojnë nga Rusia

VOA/Marrë nga Associated Press

UASHINGTON – CIA thotë se rusët që nuk mbështesin sulmin e Presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës mund të jenë duke u përpjekur për t’u vënë në kontakt me shërbimet amerikane të zbulimit. CIA sugjeron që për këtë ata t’i drejtohen të ashtuquajturit internetit të errët (darknet).

Të hënën, agjensia amerikane e zbulimit filloi një fushatë të re për të vendosur praninë e saj në një pjesë të internetit që është e arritshme vetëm nëpërmjet mjeteve të specializuara që mundësojnë anonimitetin. CIA ka një faqe në darknet që ka të njëjtat parametra si faqja e saj normale, por që mund të vizitohet vetëm nëpërmjet programit të navigimit Tor, i cili ka opsione kriptimi që nuk i kanë shumica e programeve normale të navigimit në internet.

Udhëzimet në anglisht dhe rusisht se si mund të arrihet deri tek faqja e saj u shfaqën të hënën në mediat sociale të CIA-s. Agjensia shpreson që rusët e diasporës do t’ua dërgojnë këto udhëzime kontakteve të tyre brenda vendit.

Ndërsa shumë rusë duket se mbështesin atë që Kremlini e quan zyrtarisht “operacion i posaçëm ushtarak”, vëzhgues të hershëm të Rusisë mendojnë se menaxhimi i luftës nga Presidenti Putin mund të distancojë më tej disa prej njerëzve të fuqishëm që nuk janë dakort me të. Megjithë kapacitetet e mëdha për gjurmimin e komunikimeve dhe për marrjen e imazheve satelitore, vazhdon të mbetet jetësore për agjensitë perëndimore të zbulimit që të rekrutojnë burime njerëzore që mund të ofrojnë të dhëna për Kremlinin dhe për rrethanat brenda Rusisë.

“Për misionin tonë global është e nevojshme që individët të mund të na kontaktojnë në mënyrë të sigurt nga kudo që ndodhen”, u shpreh agjensia nëpërmjet një deklarate.

Një zyrtar i CIA-s, që foli në kushte anonimiteti për diskutimin e çështjeve të zbulimit, tha se agjensia e di se “ka rusë të shqetësuar që po përpiqen në mënyrë të dëshpëruar për të kontaktuar CIA-n”. Zyrtari nuk pranoi të thotë se sa persona janë munduar të kontaktojnë që nga fillimi i luftës.

“Nuk ka siguri angazhimi i drejtpërdrejtë me amerikanët, fizikisht apo virtualisht” në Rusi, tha zyrtari. “Për ata persona që dëshirojnë të na kontaktojnë në mënyrë të sigurtë, kjo është mënyra e duhur”.

E çelur për herë të parë në vitin 2019, faqja e CIA’s në darknet mund të vizitohet nëpërmjet programit Tor. Programi Tor e mori këtë emërtim të shkurtuar nga “The Onion Router”, që kanalizon trafikun e internetit përmes disa palëve të treta, për të maskuar identitetin dhe destinacionin. Pasi instalojnë aplikacionin Tor, përdoruesit zakonisht shkruajnë adresa të gjata të përbëra nga simbole të shumta dhe të cilat në fund mbarojnë me “.onion”.

Duke përdorur programin Tor, përdoruesit shmangin gjurmimin gjatë navigimit. Megjithëse asnjë formë komunikimi nuk është krejtësisht e sigurtë gjatë gjithë kohës, zyrtarët e zbulimit thonë se një informator i mundshëm do të ishte më i mbrojtur në darknet nga përgjimi i autoriteteve ruse.

Programi i navigimit Tor u krijua fillimisht me mbështetjen e Laboratorit Kërkimor të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe menaxhohet nga një organizatë jofitimprurëse që nga viti 2006. Programi është përdorur prej kohësh nga ata që kërkojnë më shumë privatësi: disidentët në vendet autoritare dhe njerëzit që duan të shmangin sensorët dhe programet ndaluese, si dhe nga p.sh. gazetarët e agjensisë së lajmeve Associated Press, e cila ka një faqe të sajën për të marrë informata nëpërmjet programit Tor. Programi mund të përdoret pra nga çdokush që kërkon më shumë privatësi, por ai është shfrytëzuar edhe nga kriminelët.

Rusëve iu është dashur prej kohësh të gjejnë mënyra për të shmangur bllokadat e qeverisë në internet. Si reagim ndaj represionit të Kremlinit që nga fillimi i luftës, disa organizata të mediave dhe kompania Twitter kanë reklamuar përdorimin e faqeve të tyre me adresë të llojit “.onion”, apo të programeve që krijojnë një rrjet virtual privat (VPN).

Megjithëse zyrtarët nuk japin detaje, mendohet se shërbimet amerikane të zbulimit ushtrojnë veprimtari brenda Rusisë. Tërheqja e vëmendjes tek faqja në darknet i bën të ditur kontakteve të mundshme se CIA i kushton vëmendje sigurisë së tyre, thotë Mark Kelton, i cili doli në pension nga CIA në vitin 2015, pasi shërbeu si drejtues për kundërzbulimin.

“Kur njerëzit vendosin të kontaktojnë, ata janë shumë mirë të vetëdijshëm për atë që po bëjnë dhe se cilat janë rreziqet”, thotë zoti Kelton. “Tashmë bëhet fjalë që t’i sigurojnë se nga kjo anë ka njerëz që interesohen për mbrojtjen e tyre”.

Ngjarjet madhore si rënia e Murit të Berlinit kanë përfaqësuar shpesh mundësi rekrutimi për shërbimet e zbulimit në Uashington dhe në Moskë. Lufta në Ukrainë e Presidentit rus Putin ka shkaktuar një spirale me pasoja për Rusinë, me mijëra ushtarë të vrarë, sanksione që kanë dëmtuar ekonominë ruse, si dhe dështimin e arritjes së objektivave bazë ushtarake ndërkohë që imazhet që duket se pasqyrojnë krime lufte po përhapen në mbarë botën. Disa vëzhgues besojnë se kjo luftë mund të ofrojë mundësi të tilla.

Dy gazetarë të respektuar rusë, Andrei Soldatov dhe Irina Borogan, shkruajtën në një artikull të fundit se dështimet e luftës kanë provokuar “një lojë të ashpër kalimi të fajit” brenda aparatit të sigurisë të Rusisë, i njohur me emërtimin “siloviki”. Ushtria ruse fajëson Putinin që kërkoi një “strategji të re të përmbajtur”, e cila besojnë se ua ka lidhur duart përballë forcave ukrainase që mbështeten nga Perëndimi, shkruajtën gazetarët Soldatov dhe Borogan.

Disa nga anëtarët e aparatit të sigurisë që refuzonin telefonatat e gazetarëve kur filloi lufta, tashmë po flasin më shumë.

“Kjo është hera e parë që ‘solivikit’ po krijojnë distancë mes tyre dhe presidentit. Kjo hap mundësira të të gjitha llojeve”, shkruajtën gazetarët.

Ideologjia personale apo zhgënjimi me regjimin e Putinit mund të shërbejnë më shumë si shtysa për dikë që vendos të spiunojë Rusinë, se sa shpërblimet financiare që mund të jepen, thotë zoti Kelton.

“Kriza është gjithnjë një moment i mirë për spiunazhin”, tha ai. “Njerëzit në shoqëritë autokratike shpesh ndjekin rrymën deri në pikën kur iu duhet të përballen me domosdoshmërinë morale dhe politike për të bërë një zgjedhje. Kjo ka qenë historikisht një mundësi e mirë që njerëzit të kontaktojnë me Shtetet e Bashkuara”.

Christopher Hill: Nuk e kuptoj se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë

Jovana Gjuroviç, Rade Rankovic

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që Serbia t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, por është Beogradi ai që duhet të vendosë dhe nuk ka trysni mbi të për këtë çështje. Ambasadori Hill tha se Serbia “duhet të mendojë sërish”, nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth çështjes së Kosovës.

Zëri i Amerikës: Së fundmi Serbinë e vizituan tre senatorë amerikanë, si dhe ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, Karen Donfried. Të gjithë qëndruan në Serbi pak kohë pas zgjedhjeve dhe të gjithë transmetuan mesazhin se Serbia duhet të vendosë sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit mbi Ukrainën. Disa thonë se qëllimi ishte shtimi i trysnisë mbi Beogradin? Cili sipas jush ishte mesazhi kryesor për Serbinë?

Ambasadori Hill: Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se gjatë këtyre vizitave u diskutuan një sërë temash. Tema e parë ishin marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së dhe do të thosha se marrëdhëniet janë të mira, por besojmë që mund të bëjmë më shumë. Sigurisht, një nga temat ishte situata në Ukrainë, një nga tragjeditë më të mëdha të këtij shekulli. Prandaj, nuk është për t’u habitur që përfaqësuesit amerikanë paraqitën aspekte të ndryshme të asaj situate në kombinim me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së dhe faktin se nga pikëpamja e BE-së dhe SHBA-së, Serbia duhet të veprojë si anëtare e BE-së dhe t’u bashkohet sanksioneve. Është e qartë që kjo është politika jonë dhe nga ana tjetër, Serbia duhet të mendojë për të.

Zëri i Amerikës: Kryeministrja Ana Bërnabiç, tha se biseda e saj me zonjën Karen Donfried ishte “e vështirë, konstruktive dhe korrekte” dhe se asaj “i gumëzhinte në kokë” pas bisedës. Mund të na thoni çfarë ishte kaq e vështirë?

Ambasadori Hill: Nuk e di çfarë ka menduar kur ka thënë “e vështirë”, biseda ishte shumë pozitive. Sigurisht që ne kemi dallime për disa çështje, siç janë sanksionet dhe ka dallime të tjera – për shembull, sa shpejt Serbia dhe Kosova mund të përparojnë në bisedime. Por ka edhe shumë ngjashmëri në politikat tona, përfshirë edhe ekonominë, për të cilat u diskutua shumë në takimin me kryeministren dhe presidentin.

Zëri i Amerikës: Përse është e rëndësishme për Amerikën dhe BE-në që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë?

Ambasadori Hill: Më duhet të them se ka pasur një keqkuptim në lidhje me raportin (mbi vizitën në rajon) të shkruar nga Senatori (Chris) Murphy dhe njerëzit disi e kuptuan se ato 60 ditë, që kishin të bënin me një çështje ekonomike, kishin të bënin me sanksionet – gjë që nuk është e vërtetë. Unë isha atje dhe nuk bëhej fjalë për sanksione. Por Shtetet e Bashkuara po i thonë Serbisë se nuk është çështja nëse do të shkoni në Lindje apo Perëndim, por ka vetëm një drejtim dhe i takon Serbisë për të vendosur sa shpejt dëshiron të arrijë atje… Rusia vështirë se mund të jetë një model tani, nuk është një vend që do të dëshironit ta kishit mik apo aleat. Dhe mendoj se po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë duhet të bëjnë vendet. Më në fund, u takon vendeve të vendosin dhe askush nuk po i bën trysni askujt, njerëzit në Serbi duhet të vendosin se në cilin drejtim duan të shkojnë.

Zëri i Amerikës: A do të ketë pasoja në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara nëse nuk i vihen sanksione Rusisë?

Ambasadori Hill: Është një pyetje hipotetike. Ajo që do të donim është thellimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ne e dimë se sa e rëndësishme është Serbia në rajon dhe në Evropë dhe do të donim të kishim marrëdhënie më të mira. Shtetet e Bashkuara tani kanë marrëdhënie më të mira me BE-në për shkak të kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë. Ne po flasim me Serbinë se çfarë mund të bëjmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj lufte… Nuk do të doja të hyja në këtë, nuk po flasim për pasojat. Thelbi është se ne do të donim marrëdhënie më të mira dhe mundësitë për të gjetur interesa të përbashkëta.

Zëri i Amerikës: Disa ekspertë thonë se çështja e Kosovës është një burim i madh i ndikimit rus në Serbi dhe zyrtarët serbë shpesh thonë se Rusia po i mbron interesat e Serbisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. A ka Amerika një kundërpërgjigje për këtë?

Ambasadori Hill: Unë nuk kam parë asgjë që tregon se Rusia po mbron dikë përveç zotit (Vladimir) Putin. Dhe do të isha shumë i kujdesshëm me argumentet se Serbia përfiton nga veprimet e Rusisë. Unë e kuptoj dinamikën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e kuptoj thelbin. Por, Serbia duhet të vendosë se çfarë marrëdhëniesh do të ketë me fqinjët e saj dhe si do t’u qaset atyre. Qëndrimi ynë është se Serbia duhet të mbështesë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja. Nuk mendoj se Serbia duhet ta shikojë Rusinë në raport me Kosovën, apo anasjelltas, por ta shikojë secilën situatë veç e veç. Rusia është larguar kaq shumë nga ajo që ne e quajmë dinjitet ndërkombëtar, aq larg nga vlerat perëndimore, kështu që nëse mendoni se Rusia do të ndihmojë disi me Kosovën – duhet ta mendoni sërish.

Zëri i Amerikës: A besoni se do të vazhdojnë bisedimet Serbi-Kosovë, që janë në vendnumërim dhe kur?

Ambasadori Hill: Për këtë do të vendosin Kosova dhe Serbia. E di që BE-ja po përpiqet shumë të vendosë në tryezë ide të ndryshme, tema për të diskutuar, për të ruajtur vrullin. Nuk është shumë argëtuese të jesh ndërmjetësues, e kam bërë këtë në të kaluarën. Negociatat janë shumë të vështira dhe e di që BE-ja po bën më të mirën që mundet dhe Serbia dhe Kosova duhet ta respektojnë këtë. Këto çështje nuk janë të lehta, nëse do të ishin, do të ishin zgjidhur shumë kohë më parë. Duhet të kuptojmë vështirësitë, por jo të mbetemi peng i tyre, por të shohim se ku do të donim të arrinim. Duam të ngecim në këtë kohë apo duam një jetë më të mirë për popullin e Serbisë. Por, nuk janë diplomatët amerikanë ata që duhet t’u thonë serbëve se çfarë të bëjnë.

Zëri i Amerikës: Si e komentoni faktin që Serbia po blenë armë nga Rusia dhe Kina?

Ambasadori Hill: Shtetet e Bashkuara kanë një qëndrim për këtë; Serbia duhet të mendojë në mënyrë afatgjatë për një strukturë sigurie që e bën atë të sigurt. Dhe strukturat e përbashkëta të sigurisë janë më të mirat. Mendoj se është shumë e vështirë në shekullin 21 të blesh pak pajisje nga njëra anë, pak nga ana tjetër dhe të besosh se kjo u shërben interesave tuaja të sigurisë. Në fund, e di që serbët nuk pajtohen me këtë, por në fund është mirë që Serbia të jetë në NATO. Do të duhet kohë, e njoh shumë mirë historinë. Historianët shikojnë prapa, diplomatët shohin përpara. Besoj se Serbia do ta kuptojë se mbrojtja e përbashkët, është zgjidhja më e mirë.

Zëri i Amerikës: Organizata ndërkombëtare Freedom House, këtë vit tha se Serbia nuk është një regjim demokratik por një regjim hibrid, se liria e medias është e rrezikuar dhe korrupsioni është i përhapur. Dhe kjo gjendje është regjistruar prej disa vitesh. A jeni dakord me këto gjetje?

Ambasadori Hill: Këto janë çështje komplekse që kanë të bëjnë me situatën e brendshme këtu dhe çfarë po bëhet në lidhje me liritë e medias. Në Shtetet e Bashkuara e vlerësojmë shumë lirinë e medias, faktin që ka mendime të ndryshme për gjithçka. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për demokracinë dhe do të jem i lumtur t’ia paraqes shembullin tonë popullit serb. Besoj se Serbia do të kuptojë se mediat e lira janë pjesë e demokracisë dhe se demokracia është rruga drejt një situate më të mirë ekonomike. Demokracia nënkupton shumësi opinionesh dhe besoj se Serbia duhet të përpiqet për këtë. Por, unë jam një diplomat i huaj, mysafir tek ju, serbët duhet të vendosin për këtë. Nuk do të hyj në atë se a pajtohem me gjetjet e disa organizatave. Unë kam një mendim personal për këtë, por nuk do ta thosha.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë pritshmëri nga qeveria e re e Serbisë?

Ambasadori Hill: Do të doja të shihja se çfarë qeverie do të jetë. Neve në Amerikë na duhen disa muaj për të formuar një qeveri. Unë jam i sapoardhur këtu dhe jam gati për detyrën time, të punoj me qeverinë e re të Serbisë dhe të shoh se nga po shkon ajo. Nëse do të isha qytetar i këtij vendi, gjë që nuk jam, do të isha shumë kureshtar të shishja se në ç’drejtim do të shkojë. Një gjë shumë e rëndësishme ndodhi më 24 shkurt, kur Rusia nisi një agresion ndaj vendit fqinj. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se si dikush mund të jetë mbështetës i Rusisë ose të flasë në favor të Rusisë. Shpresoj që qeveria e re do të marrë një drejtim të caktuar, por është në dorën e atyre që do të formojnë qeverinë. Mezi pres të shoh si do të jetë.

Zëri i Amerikës: A nënkupton ky “drejtim i caktuar” më pak bashkëpunim me Rusinë?

Ambasadori Hill: Nuk do të thosha bashkëpunim, më mirë do të thosha më pak besim në Rusinë. Ideja se Rusia do t’i zgjidhë problemet serbe në Kosovë ose diku tjetër – vetëm shikoni situatën në Ukrainë dhe më thoni se është i vlefshëm propozimi që Serbia të mbështetet në Rusi për çfarëdo qoftë.

Zonja e Parë e SHBA viziton Rumaninë dhe Sllovakinë

RFE/RL

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Jill Biden, do të vizitojë Rumaninë dhe Sllovakinë nga data 5 deri më 9 maj, për të takuar anëtarë të shërbimeve amerikane atje, refugjatë ukrainas, punonjës të organizatave humanitare e të tjerë, bëri të ditur zyra e saj.

Rumania dhe Sllovakia – vende anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian – kanë pranuar qindra mijëra refugjatë nga Ukraina, qëkur Rusia ka nisur pushtimin e saj, më 24 shkurt.

Udhëtimi i zonjës Biden pason udhëtimin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në Kiev, në fundjavën e shkuar. Pelosi u takua atje me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, afro 5.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit.

Mbi 3 milionë janë vendosur në Poloni. Rumania, ndërkaq, ka pranuar 817,000 dhe Sllovakia gati 372,000.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka propozuar një paketë të madhe – në vlerë prej 33 miliardë dollarësh – për armatimin dhe mbështetjen e Ukrainës.

I bëhen nderime ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright

Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për ndera të saj që mbahet në Uashington.

“Në shekullin e 20 dhe 21 liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Albright”, tha Presidenti Biden në homazhet për ish-sekretaren e shtetit.“Sot ne nderojmë një amerikane vërtet krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë”, tha zoti Biden. “Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shtoi Presidenti Biden.

Zonja Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.

Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku zonja Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.

Shërbimi përkujtimor i mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Sipas një zëdhënësi të familjes Albright, më shumë se 1,400 njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë ministra të jashtëm, ambasadorë dhe anëtarë të Kongresit.

Familja kërkoi që të pranishmit të mbanin maskën brenda katedrales pasi Uashingtoni ka përjetuar një rritje dramatike të rasteve me COVID-19 në javët e fundit.

Presidenti Biden, ish-Presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe tre vajzat e zonjës Albright mbajtën fjalime në funeralin për ish-sekretaren Albright. Ish-sekretarja e shtetit Condoleezza Rice lexoi disa vargje nga Bibla.

Ish-presidenti Barack Obama, ish-zonja e parë Michelle Obama dhe ish-nëndëspresidenti Al Gore morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me zyrtarë aktualë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Madeleine Albright shërbeu në postin e ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 1993 deri në vitin 1997 gjatë mandatit të parë të Presidentit Bill Clinton përpara se të bëhej sekretare e shtetit dhe ishte një mbështetëse aktive e fushatave presidenciale të zonjës Clinton.

Zonja Albright ishte një nga zërat më të fuqishëm kundër mizorive të diktatorit serb Sllobodan Millosheviç në luftërat e Ballkanit.

Ajo mbështeste hapur ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalej vrasja e civilëve shqiptarë nga forcat serbe në luftën e viteve 98-99.

Fushata 78 ditore e bombardimeve të NATO-s kundër Beogradit, solli lirinë e Kosovës.

“E fituam këtë luftë në mënyrë që ju të mund të shkoni në shtëpi dhe të jetoni një jetë normale. Millosheviçi dhe serbët humbën kontrollin mbi Kosovë”, u tha zonja Albright refugjatëve shqiptarë gjatë një takimi me ta në kampet e Maqedonisë së Veriut.

Kosovën e lirë dhe të pavarur zonja Albright e vlerësonte si arritjen më të madhe të karrierës së saj.

SHBA mbështet dërgimin në Ukrainë të pasurive të konfiskuara të oligarkëve rusë

VOA

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland tha të martën se administrata e Presidentit Biden mbështet legjislacionin që kërkon që disa prej të ardhurave të sekuestruara nga oligarkët rusë të shkojnë “direkt në Ukrainë”.

“Kjo nuk është duke ndodhur tani”, tha zoti Garland para Komisionit të Senatit për Buxhetin, ndërsa ligjvënësit e pyetën atë në lidhje me pronat dhe pasuritë që Departamenti i Drejtësisë po konfiskonte nga bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë më 24 shkurt.

Departamenti i Drejtësisë, i udhëhequr nga zoti Garland, krijoi një njësi të re, të quajtur “KleptoCapture”, për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të qeverisë ruse dhe oligarkëve, duke vënë në shënjestër jahtet, avionët, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të tyre.

Shtetet e Bashkuara shpresonin se aleatët e Putinit mund t’i bënin presion atij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Disa figura kryesore ruse kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj luftës, por sulmet ruse po vazhdojnë, të përqendruara tani në Ukrainën lindore pasi Moska nuk arriti të rrëzonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy ose të pushtonte Kievin.

Departamenti i Drejtësisë tha në fillim të këtij muaji se sekuestrimi i tij i parë ishte një jaht luksoz prej 90 milionë dollarësh, 77 metra i gjatë, të cilin policia spanjolle e konfiskoi me kërkesë të Uashingtonit.

Zoti Garland dënoi luftën e Rusisë në Ukrainë gjatë dëshmisë së tij në Senat, duke thënë se “mizoritë e tmerrshme” që po shihen në video dhe foto “janë gjëra që ata që janë rritur në shekullin e 20-të nuk prisnin t’i shihnin në shekullin e 21-të.”

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në Uashington për funeralin e Madeleine Albright

 

Vepra dhe kontributi i Medeleine Albright, ish -Sekretares amerikane të Shtetit, do të nderohet edhe nga Kosova. Në ceremoninë mortore që mbahet të mërkurën Washington, dashurinë dhe ndihmën e saj të madhe për Kosovën, do ta nderojnë me pjesmarrje presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, njofton RTK.

Ata janë nisur të hënën në mbrëmje, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të jenë të pranishëm në këtë ceremoni funebre, e cila pritet të mbledhë personalitete të shquara nga mbarë bota.

Ndikimi që la pas vetës tek politika amerikane, ish-Sekretarja e Shtetit, Medeline Albright, në raport me Kosovën, është e jashtëzakonshme. Një fakt i tillë u pohua edhe nga Ndihmësekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried.

Gjatë vizitës në Kosovë, këtë të hënë, në konferencë për media me presidenten Osmani, ajo rikujtoi edhe një herë dëshirën e Medeline Albright, për ta parë një Kosovë të përparuar.

“Së fundi humbëm një nga avokatet më të fuqishme të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, Sekretaren e Shtetit, Madeline Albright. Ajo ishte thellësisht e përkushtuar ndaj Kosovës dhe së ardhmes së saj”, tha Donfried, duke risjellë në vëmendje edhe dashurinë dhe respektin që Kosova ruan për të, e dëshmuar kjo në mënyra të ndryshme.

“Dua t’ia vë në dukje presidentes Osmani, mirënjohjen e saj për Sekretaren e Shtetit Albrighit, duke shpallur ditë kombëtare të zisë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi edhe udhëtimin e Osmanit e Kurtit drejt Washingtonit për të marrë pjesë në ceremoninë motore. “Gjithashtu për të udhëtuar drejt Washingtonit, sot më vonë së bashku me kryeministrin Kurti, për të nderuar kujtimin e saj”.

Ndikimi që la pas vetës tek politika amerikane, ish-Sekretarja e Shtetit, Medeline Albright, në raport me Kosovën, është e jashtëzakonshme. Një fakt i tillë u pohua edhe nga Ndihmësekretarja amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried.

Gjatë vizitës në Kosovë, këtë të hënë, në konferencë për media me presidenten Osmani, ajo rikujtoi edhe një herë dëshirën e Medeline Albright, për ta parë një Kosovë të përparuar.

“Së fundi humbëm një nga avokatet më të fuqishme të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, Sekretaren e Shtetit, Madeline Albright. Ajo ishte thellësisht e përkushtuar ndaj Kosovës dhe së ardhmes së saj”, tha Donfried, duke risjellë në vëmendje edhe dashurinë dhe respektin që Kosova ruan për të, e dëshmuar kjo në mënyra të ndryshme.

“Dua t’ia vë në dukje presidentes Osmani, mirënjohjen e saj për Sekretaren e Shtetit Albrighit, duke shpallur ditë kombëtare të zisë”, tha ajo.

Ajo vlerësoi edhe udhëtimin e Osmanit e Kurtit drejt Washingtonit për të marrë pjesë në ceremoninë motore. “Gjithashtu për të udhëtuar drejt Washingtonit, sot më vonë së bashku me kryeministrin Kurti, për të nderuar kujtimin e saj”.

Udhëtimin drejt Washingtonit të presidentes Osmani e kryeministrit Kurti, ditë më parë për RTK- në, e konfirmuan zyrtarët përkatës të të dy institucioneve. Megjithatë, këshilltarët për media, kanë qenë të rezervuar në dhënien e informatave, nese drejtuesit e shtetit të Kosovës, do të kenë edhe takime me zyrtarë amerikanë.

Albright së fundit herë vizitoi Kosovën në qershor 2019, në 20 vjetorin e çlirimit duke marrë pjesë personalisht në zbulimin e bustit të saj, ku i pranishëm ishte edhe ish presidenti Bill Clinton. Ish – Sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, vdiq me 23 mars.

Familja e saj njoftoi se ajo u shua e rrethuar nga më të dashurit e saj. E në anën tjetër, dy ditë më vonë, presidentja Vjosa Osmani, shpalli një ditë zije në Kosovë, në nderim të vepres dhe kontributit të saj për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. Ceremonia mortore për Albright, do të mbahet me 27 prill (e mërkurë) në Katedralen Kombëtare në Washington.

Pjesmarrja është vetëm me ftesa. Megjithatë, për shkak të interesimit të madh, do të ketë transmetim direkt nëpërmjet Livestream.

Gjykatësi gjobit ish-presidentin Trump për mosrespektim të gjykatës

VOA

Një gjykatës i Nju Jorkut tha të hënën se ish-presidenti Donald Trump shpërfilli autoritetin e gjykatës, duke mos iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme një thirrjeje të lëshuar nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut, në kuadër të një hetimi civil mbi bizneset e tij.

Gjykatësi Arthur Engoron urdhëroi zotin Trump të paguajë një gjobë prej 10,000 dollarësh në ditë.

“Zoti Trump, e di që ti e merr seriozisht biznesin tënd dhe unë e marr seriozisht detyrën time”, tha gjykatësi Engoron përpara se të jepte vendimin nga gjykata në një sallë gjyqi në Manhatan.

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, një demokrate, i kishte kërkuar gjykatës ta mbante përgjegjës zotin Trump pasi ai shkeli një afat të caktuar nga gjykata më 31 mars për të dorëzuar dokumentet. Gjykatësi tha se konstatimi për mosrespektim të gjykatës ishte i përshtatshëm sepse zoti Trump dhe avokatët e tij nuk kishin treguar se ishin përpjekur me seriozitet të siguronin dokumentet e kërkuara.

Ish-presidenti republikan Donald Trump është përballur me prokuroren James në gjykatë për hetimin e saj, të cilin ai e ka quajtur një “gjueti shtrigash” të motivuar politikisht.

Prokurorja James ka kryer një hetim të gjatë mbi Organizatën Trump, kompaninë e familjes së ish-presidentit, duke u përqendruar tek ajo që ajo thotë se është një prirje për të mashtruar autoriteteve tatimore mbi vlerën e pronave të tij.

Vendimi i gjykatësit erdhi pavarësisht nga këmbënguljet e vazhdueshme të avokates së zotit Trump, Alina Habba, se ajo kishte bërë përpjekje të mëdha për të respektuar kërkesën, madje duke udhëtuar në Florida për të pyetur konkretisht zotin Trump nëse ai kishte në posedim ndonjë dokument që ka lidhje me kërkesën e gjykatës.

“Mocioni për shpërfillje të gjykatës është i papërshtatshëm dhe i gabuar”, tha ajo. “Ai ka respektuar kërkesën e gjykatës… nuk ka më dokumente që mund të dorëzohen nga Presidenti Trump.”

Zëdhënësit e zotit Trump nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Hetuesit e prokurores James kanë thënë në dosjet gjyqësore se kanë zbuluar prova se zoti Trump mund të ketë deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e pronave të tij, si ajo e një fushe golfi dhe gradaçelat, në raportet e tij financiare për më shumë se një dekadë.

Një hetim penal paralel po zhvillohet për këtë çështje nga Prokurori tjetër demokrat i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Kryeministri i Ukrainës në SHBA takohet edhe me kreun e Pentagonit

Kryeministri i Ukrainës Denys Shmyhal ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, në Pentagon, ku është pritur nga Presidenti Biden dhe nga krerët më të lartë të administratës amerikane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se më 21 prill, Presidenti amerikan Joe Biden u takua me kryeministrin e Ukrainës Shmyhal në mëngjes. “Udhëheqësit diskutuan zhvillimet e fundit në luftën brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti Biden përcolli angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur popullin e Ukrainës dhe për të imponuar kosto ndaj Rusisë. Ai parashikoi gjithashtu njoftimin e tij sot për një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë dhe 500 milionë dollarë mbështetje ekonomike.”

Edhe Kryetarja Nensi Pelosi e mirëpriti në takim Denys Shmyhal, Kryeministrin e Ukrainës.

Njoftimet i ka dhënë  po ashtu edhe vetë Kryeministri ukrainas Shmyhal në Twitter.

Ai sot njoftoi se është takuar edhe me Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin  në Pentagon.

“Theksoj se furnizimi i vazhdueshëm me armë moderne do të na sjellë më pranë fitores. Faleminderit për mbështetjen e forte”, nënvizon Shmyhal që ka publikuar edhe fotografi nga takimet që ka pasur në Uashington.

Ndër to, “embargoja e importeve të naftës, gazit dhe karburantit bërthamor nga Rusia është një hap i rëndësishëm në dobësimin e makinës ushtarake. Kjo u theksua në takimin me Sekretaren Gina Raimondo, ku diskutuam çështjet e liberalizimit të tregtisë. Po forcojmë bashkëpunimin Ukrainë – SHBA në drejtime të ndryshme“

Të mbijetuarat e abuzuara nga Larry Nassar, kërkojnë 130 milionë dëmshpërblim nga FBI-ja

VOA/Marrë nga Reuters

Trembëdhjetë të mbijetuara të paidentifikuara që ishin abuzuar seksualisht nga ish-mjeku i Shoqatës amerikane të Gjimnastikës Larry Nassar po kërkojnë 130 milionë dollarë dëmshpërblim nga FBI-ja me akuzat se dështoi në hetimin ndaj tij, thanë avokatët e tyre të enjten.

Individët thonë se dështimi i FBI-së për të hetuar siç duhet ish-mjekun Nassar pasi u njoftuan për disa nga akuzat kundër tij, përbënte një abuzim të dytë për ta. Secila nga të mbijetuarat po paraqet një kërkesë për dëmshpërblim.

“Ky është dështimi më i madh nga ana e zbatimit të ligjit në historinë e botës, pasi ka të bëjë me mbrojtjen e fëmijëve dhe duhet të ketë përgjegjësi institucionale për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë më,” tha në një deklaratë avokati Jamie White.

FBI iu përgjigj një kërkese për koment nga ana e agjencisë Reuters, duke iu referuar komenteve të bëra nga drejtori Christopher Wray përpara Komisionit juridik të Senatit në shtator.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan të Drejtësisë tha në korrik se FBI-ja zvarriti hetimin për akuzat për abuzim seksual kundër Nassarit, i cili u dënua në vitin 2018 me deri në 175 vjet burg për abuzim ndaj gjimnasteve të reja.

Ai akuzoi gjithashtu dy zyrtarë të FBI-së për gënjeshtra për të mbuluar “gabime të shumta dhe thelbësore” që lejuan abuzimin e Nasarit të vazhdonte.

McKayla Maroney, një nga gjimnastet e ekipit fitues së medaljes së artë olimpike në Londër 2012, i tha Komisionit Juridik të Senatit në shtator se ajo kishte qendruar tre orë në një telefonatë me FBI-në në vitin 2015 duke treguar me hollësi historinë e saj, por se agjencia e zbatimit të ligjit dështoi ta dokumentonte dëshminë e saj për një vit e gjysmë dhe i kishte shtrembëruar komentet e saj.

Avokatët e 13 individëve thanë se pretendimet e dëmshpërblimit mund t’i paraprijnë një padie civile dhe se FBI-ja ka gjashtë muaj për t’u përgjigjur.

“Askush nuk duhet të ishte abuzuar pas verës së vitit 2015, sepse FBI-ja duhet të kishte bërë punën e saj,” tha në një deklaratë Grace French, një e mbijetuar e Nassarit dhe themeluese e grupit “Ushtria e të Mbijetuarave”.

“Më neverit fakti se FBI-ja mund të kishte ndihmuar për të shmangur këtë traumë,” tha ajo.

Pentagoni minimizon provën me raketë të re balistike të Rusisë

VOA/Marrë nga Associated Press

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby minimizoi provën e Rusisë me një raketë të re balistike ndërkontinentale, për të cilën Kremlini thotë se do të jetë në qendër të strategjisë së tij bërthamore.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan raketën “Sarmat” një armë me aftësi unike që mund të depërtojë sistemet e mbrojtjes nga raketat. Shefi i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin e quajti në mënyrë provokative provën e së mërkurës me këtë raketë si “një dhuratë për NATO-n”

Por zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby tha se “Rusia njoftoi siç duhet Shtetet e Bashkuara në bazë të detyrimeve të saj bazuar në marrëveshjen e re START që po planifikonte të bënte këtë provë me raketë balistike ndërkontinentiale. Provat e tilla janë rutinë. Nuk ishte një surprizë. Ne nuk e konsideruam provën si një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.”

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi lëshimin e parë të raketës së re balistike ndërkontinentale “Sarmat”. Presidenti Vladimir Putin tha se kjo armë është unike dhe do t’i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë “të mendojnë dy herë”.

Ministria rusa e mbrojtjes tha se raketa u lëshua të mërkurën nga baza Plesetsk në Rusinë veriore dhe mbushjet e saj praktike goditën objektivat e përcaktuara në poligonin e qitjes Kura në Gadishullin e largët lindor të Kamçatkës.

“Sarmat” është një raketë e rëndë, që pritet të zëvendësojë raketën “Voyevoda” të prodhimit sovjetik, e cila është quajtur “Satani” nga Perëndimi. Presidenti Putin tha se ajo mund të depërtojë çdo sistem të të mundshëm të mbrojtjes raketore.

Zoti Putin e quajti këtë “një ngjarje të madhe, domethënëse” për industrinë ruse të mbrojtjes. Ai tha se “Sarmat” do të garantojë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe “i bën ata që, në kulmin e retorikës së furishme, agresive, përpiqen të kërcënojnë vendin tonë, të mendojnë dy herë”.

Rusia mbështetet në raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, përfshirë raketën “Sarmat” për strategjinë e saj të frenimit të një sulmi ndaj saj nga një vend tjetër. Shtetet e Bashkuara kanë raketat e saj balistike me aftësi bërthamore, por kohët e fundit anuluan një provë me këtë lloj arme për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Senatorët amerikanë i kërkojnë Serbisë të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me BE-në

VOA

Senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis, thanë të martën në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Ata i bënë këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se “në këtë moment historik është me rëndësi që vendet demokratike të Evropës t’i dërgojnë mesazh të qartë Rusisë dhe të kërkojnë llogari”.

Të tre senatorët po qëndrojnë në rajon në kohën e agresionit rus në Ukrainë dhe shqetësimeve për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ajo do të përpiqet të krijojë probleme në rajonet e brishta në afërsi. Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me senatoren Shaheen dhe senatorin Thom Tillis, për të forcuar lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen”, shkroi në rrjetet sociale para takimeve në Beograd senatori Chris Murphy.

Ai tha se gjatë bisedimeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se synohet një bashkësi e vendeve demokratike që do të dënojnë agresionin rus në Ukrainë.

“I kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Vazhdojmë të mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kemi ardhur të forcojmë marrëdhëniet e mira që ka ajo me Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Murphy.

Senatorja Shaheen tha se është biseduar për sanksionet kundër Rusisë dhe se diskutimet rreth tyre do të vazhdojnë.

“Siç tha edhe presidenti serb, e ardhmja e Serbisë është në perëndim me pjesën tjetër të Evropës dhe ajo ecën në atë drejtim me lidhjet tregtare, të biznesit dhe investimeve. Nëse ky është synimi, atëherë gjithsesi duhet të keni politikë të Jashtme të harmonizuar me Bashkimin Evropian”, tha senatorja Shaheen.

Beogradi ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara, por nuk ka vendosur sanksione kundër saj. Një aleate e vjetër e Serbisë, Moska mbështete qëndrimin e Beogradit për të mos njohur pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Senatori Murhy tha se është i zhgënjyer me mungesën e përparimit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe se për këtë çështje do të diskutohet edhe në Prishtinë më vonë gjatë kësaj jave.

Senatorët amerikanë thanë të martën gjithashtu se nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duhet të rishqyrtojë armatosjen e saj nga Rusia dhe Kina.

“Në planin afatgjatë, mendoj se çdo vend duhet të marrë një vendim nëse është në interesin e tyre më të mirë të sigurisë lidhja me Kinën. Nëse Serbia synon të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, atëherë ndoshta nuk është në interesin e saj afatgjatë që të ketë një marrëdhënie sigurie me Kinën”, tha senatori Murphy.

Në fillim të këtij muaji, Kina i dorëzoi Beogradit një sistem të mbrojtjes ajrore, me gjithë paralajmërimet e mëparshme amerikane se Serbia nëse dëshiron integrimet perëndimore, duhet të përafrojë ushtrinë e saj me standardet perëndimore.

Pranimi i armëve kineze nxiti reagime mes shqetësimeve perëndimore se një grumbullim i armëve në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon.

Sekretarja e Thesarit deklaron: Do të shtojmë sanksionet ndaj Rusisë, do e izolojmë Putinin!

Sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen ka bërë thirrje për më shumë sanksione ndaj Rusisë. Ajo ka thënë se do të lobojë në anëtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore për të rritur presionin financiar ndaj Moskës, si hakmarrje për agresionin e tyre të vazhdueshëm.

Në komentet javën e kaluar, Yellen dënoi “sulmin e paprovokuar të Vladimir Putin ndaj Ukrainës”.

“Derisa Putini të përfundojë luftën e tij të tmerrshme, administrata Biden do të punojë me partnerët tanë për ta shtyrë Rusinë më tej drejt izolimit ekonomik, financiar dhe strategjik”, tha ajo.

Vërejtjet e saj i bëjnë jehonë edhe të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se Rusia duhet të përjashtohet nga G20 dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Yellen do të mbledhë një panel të martën për të diskutuar përgjigjen ndërkombëtare ndaj një krize të sigurisë ushqimore të përkeqësuar nga pushtimi rus, tha Departamenti i Thesarit. bw

SHBA synon ta përfshijë Ukrainën në axhendën e G-20ës

Administrata e Presidentit Biden duket se dëshiron ta përfshijë diskutimin rreth ndikimit të sulmit të Rusisë tek ekonomia ndërkombëtare, si dhe të një rindërtimi të mundshëm të Ukrainës, në axhendën e takimit të Grupit të 20-shes që do të mbahet në nëntor. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, kjo mund të krijojë ndasi të mëtejshme në këtë forum ekonomik.

Ndërsa lufta vazhdon në Ukrainë, Presidenti Joe Biden dëshiron largimin e Rusisë nga grupi i 20 ekonomive më të mëdha dhe përfshirjen e pasojave të sulmit në axhendën e takimit të G-20ës, i tha Zërit të Amerikës Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

“Nuk është e pazakontë që ngjarjet që ndikojnë tek komuniteti global, si Ukraina dhe sulmi rus në Ukrainë, të luajnë një rol qendror në forumet ndërkombëtare. Në rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin e tyre do të përfshihet komuniteti global”, tha zonja Psaki.

Kjo e vendos në një pozicion të vështirë Presidentin e Indonezisë, Joko Widodo, i cili kryeson këtë vit G-20ën dhe do të jetë organizator i takimit të nëntorit në Bali.

Vendet anëtare që nuk konsiderohen fuqi të mëdha kanë një axhendë të tyren.

“Dëshira e Presidentit Widodo është që të sigurohet që do të ruhet mandati i G-20ës, të sigurohet, si përfaqësues i ekonomive në rritje, se axhenda e rimëkëmbjes nga pandemia do të jetë e përballueshme për të gjithë”, thotë Dinna Prapto Raharja, nga organizata studimore “Synergy Policies”.

Pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Moska u përjashtua nga grupi i vendeve më të industrializuara, i mirënjohur tashmë si G-7.

Megjithatë, ka pak gjasa që Rusia të përjashtohet nga G-20, një grup shumë më i gjerë, me interesa shumë më konkuruese dhe që nuk ka një mekanizëm formal për të përjashtuar një vend anëtar.

Deri më tani, Presidenti rus Vladimir Putin duket se synon të marrë pjesë në takim, me mbështetjen e Kinës.

“Presidenti Biden nuk do të ulet në të njëjtën sallë. Do të thoja që po kështu do të veprojë Kryeministri Trudeau dhe disa prej evropianëve. Kjo do ta vendoste Xhakartën në një pozicion shumë të vështirë. A do të jenë të gatshëm të pranojnë pjesëmarrjen e Putinit dhe të humbasin pesë apo gjashtë pjesëmarrës të tjerë?”, thotë Gregory B. Poling, nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ambasadori Dian Triansyah Djani, bashkëdrejtues në G-20, i tha Zërit të Amerikës se Indonezia do të dëgjojë pikëpamjet e vendeve anëtare, duke ruajtur ndërkohë rolin e G-20ës si një forum i bashkëpunimit ekonomik.

Në përgjigje të kritikave se kërkesat e Perëndimit për të përjashtuar Moskën nuk ndihmojnë axhendën e takimit dhe krijojnë ndasi, zonja Psaki tha se zoti Putin është bërë një “person i padëshirueshëm në botë” dhe se ai “nuk ka vend në forumet ndërkombëtare”.

SHBA akuza të fortë ndaj Rusisë: Tre rusë i ofruan kongresmenit një udhëtim falas, tentuan ta korruptonin, ja ç’po kërkojnë të bëjnë

Prokurorët federalë në New York bënë të enjten një aktakuzë duke deklaruar se një anëtar i legjislaturës ruse dhe dy nga stafi i tij, kanë orkestruar një fushate propagande dhe dezinformimi që synonte ligjvënësit amerikanë.

Aleksandr Babakov, nënkryetari i Dumës së Shtetit Rus dhe punonjësit e tij Aleksandr Vorobev dhe Mikhail Plisyuk, u akuzuan për komplot për të vepruar në SHBA si agjent të huaj të paregjistruar, komplot për të shkelur sanksionet e SHBA dhe komplot për të kryer mashtrime me viza.

Si pjesë e skemës së supozuar, në vitin 2017, prokurorët thanë se rusët dyshohet se kanë shkelur ligjet e sanksioneve të SHBA-së duke kërkuar të rekrutojnë të paktën një biznesmen amerikan dhe të paktën një kongresmen në një udhëtim të paguar me të gjitha shpenzimet prej tyre, për të marrë pjesë në një konferencë në Jaltë, një zonë në Krimea, e kontrolluar nga Rusia, në favor të Sergey Aksyonov, një rus i vendosur në listën e zezë të sanksioneve të SHBA-së pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Kongresmeni, i cili nuk u identifikua, nuk e pranoi ftesën, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, prokurorët pretendojnë se burrat kishin planifikuar të ndikonin në politikën e SHBA-së ndaj Rusisë nga viti 2012 deri në vitin 2017 “nëpërmjet ngjarjeve të inskenuara, propagandës me pagesë dhe rekrutimit të të paktën një qytetari amerikan për të bërë ofertat e tyre në funksione jozyrtare”.

Gjithashtu në vitin 2017, prokurorët thonë se Babakov kërkoi një takim me një kongresmen në Uashington përmes shtetasit amerikan dhe Babakov dhe punonjësit e tij falsifikuan aplikimet për vizë duke thënë se po udhëtonin veçmas dhe për pushime.

Shtetet e Bashkuara i vendosën këta tre persona në listën e sanksioneve të SHBA-së në vitin 2017, kështu që atyre iu refuzuan vizat dhe nuk u zhvilluan takime, thanë prokurorët.

Babakov, një ligjvënës pro-Vladimir Putin, u sanksionua gjithashtu nga Bashkimi Evropian për votimin në favor të një projektligji rus që aneksonte Krimenë në vitin 2014.

Tashmë rusët në fjalë ndodhen në Rusi dhe mbeten të lirë, thanë prokurorët. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së po kërkon konfiskimin e çdo pasurie, anijeje, avionësh të përdorur ose të gjurmuar në të ardhurat e marra nga krimet e dyshuara.

Rusët, pretendon aktakuza, përdorën një organizatë jofitimprurëse me bazë në Rusi, Institutin për Studime të Integrimit Ndërkombëtar, si një front për aktivitetet e tyre.

“Akuza e sotme tregon se veprimet e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës shtrihen përtej fushës së betejës, pasi ndikuesit politikë nën kontrollin e Rusisë dyshohet se komplotuan për të drejtuar ndryshime gjeopolitike në favor të Rusisë përmes mjeteve të fshehta dhe të paligjshme në SHBA dhe gjetkë në Perëndim”, shtoi Williams. bw

Hill: Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë çfarë i ka pasur, të vendos vetë a do të hyjë në NATO

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se asnjë shtet në Evropë e as Serbia s’mund të ketë raporte me Rusinë çfarë i ka pasur para 24 shkurtit. Hill ka folur në një konferencë të organizuar nga Këshilli EuroAtlantik i Serbisë mbi pozicionin e Serbisë në komunitetin Euro-Atlantik.

Ambasadori Hill ka thënë se ShBA-ja do të përkrahte Serbinë nëse do të shprehte dëshirën të hyjë në NATO por që është çështje për të cilën shteti serb duhet të vendos vetë, transmeton Gazeta Express.

“I takon Serbisë dhe popullit të Serbisë që të përcaktojë nevojat e tyre të sigurisë. Ne jemi të gatshëm të mbështesim aspiratat e Serbisë dhe ajo duhet të shikojë nga e ardhmja dhe çfarë mund të arrijë për veten e saj. Si anëtare e NATO-s theksoj se i takon Serbisë të vendosë, nëse do të ishte zgjedhje, nëse do të ishte dëshirë, ashtu siç dëshiron Serbia të anëtarësohet në BE, ku ne e mbështesim Serbinë dhe nëse Serbia do të donte të anëtarësohej në NATO, atëherë do të kishte edhe shumë zgjedhje të vështira që do të duhej t’i bënte, shumë procedura për të përmbushur dhe ne do ta ndihmonim Serbinë, por dua të theksoj përsëri, nuk varet nga ne por nga vetë Serbia”, tha Hill.

Diplomati amerikan tha se marrëdhëniet me Rusinë s’mund të kthehen në ato që ishin para 24 shkurtit.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë se nuk ka kthim mbrapa. Dyshoj se ndonjë vend në Evropë, përfshirë edhe Serbinë, do të ketë të njëjtat marrëdhënie me Rusinë si para 24 shkurtit 2022. Ka shumë gjëra në të kaluarën, për të folur se si të shikohet e kaluara, sepse është detyrë e avokatëve, jo vetëm historianëve, por e vetmja detyrë e diplomatëve është të shohin përpara dhe çfarë elementesh do të jetë e nevojshme për të ndërtuar marrëdhënie dypalëshe duke respektuar dëshirat e njëri-tjetrit”, tha ai.

Shefi i CIA-s: Kërcënimi bërthamor nga Rusia, nuk duhet marrë lehtë

VOA/Marrë nga Reuters

Kërcënimi se Rusia mund të përdorë potencialisht armë bërthamore taktike në Ukrainë nuk është diçka që mund të merret lehtë, tha të enjten drejtori i CIA-s William Burns, por ai shtoi se Uashingtoni nuk ka parë shumë prova praktike që e përforcojnë këtë shqetësim.

Këto janë disa nga komentet më të gjera që zoti Burns ka bërë publikisht që kur Rusia nisi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt. Ato nënvizojnë shqetësimet se sulmi më i madh kundër një shteti në Evropë që nga viti 1945, rrezikon të përshkallëzohet në përdorimin e armëve bërthamore.

Gjatë një takimi, William Burns tha se duke patur parasysh dëshpërimin e mundshëm të Presidentit Putin mbi ecurinë e luftimeve, pengesat me të cilat trupat ruse janë përballur deri më tani, askush nuk mund ta marrë lehtë kërcënimin e paraqitur nga një përdorim i mundshëm i armëve bërthamore taktike.

Armët bërthamore taktike i referohen atyre të prodhuara për përdorim në fushën e betejës. Disa ekspertë vlerësojnë se Rusia ka rreth 2000 të tilla, që mund të nisen nga forcat ajrore, detare dhe tokësore.

Por sot zoti Burns e quati Kinën “një partner të heshtur të agresionin të Putinit kundër Ukrainës”.

Komentet e zotit Burns ishin si përgjigje ndaj një pyetjeje nga ish-senatori amerikan Sam Nunn, një mbështetësit kryesor i politikave mbi kontrollin e armëve.

‘Profeti i Kiametit’: Arrestimi i 62-vjeçarit që kreu sulmin në Nju Jork

Një person që ishte në kërkim lidhur me një sulm me armë zjarri në një tren metroje në Bruklin që shkaktoi plagosjen e 10 personave, u arrestua të mërkurën dhe u akuzua për një vepër terrorizmi federal pasi vetë i dyshuari telefonoi policinë duke i treguar vendndodhjen, thanë zyrtarët e rendit.

62 vjeçari Frank R. James, u arrestua në Manhatan rreth 30 orë pasi hapi zjarr në një tren, duke lënë pesë viktima në gjendje kritike dhe gjithë qytetin e Nju Jorkut në ankth, njofton Associated Press,

James pritet të gjykohet për një akuzë që ka të bëjë me sulme terroriste ose të tjera të dhunshme kundër sistemeve të transportit masiv dhe që mbart një dënim deri në burgim të përjetshëm, tha prokurori i Bruklinit, Breon Peace.

Policia kishte njoftuar të martën pasdite se po përpiqej të gjente personin, i cili besohej se kishte marrë me qira një furgon që ndoshta kishte lidhje me kryerjen e sulmit. Të mërkurën në mëngjes, autoritetet e Nju Jorkut thanë se ai ishte i dyshuar për vetë sulmin.

Autoritetet po analizonin video në media sociale, në të cilat 62-vjeçari kritikonte Shtetet e Bashkuara duke e quajtur një vend racist dhe të mbushur me dhunë dhe shante kryetarin e bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams.

Por motivi i sulmit në metro mbetet i paqartë dhe nuk ka shenja që James kishte lidhje me organizata terroriste, tha zoti Peace.

Megjithatë, “ky komb ka lindur në dhunë, mbahet gjallë nga dhuna ose kërcënimi i saj dhe do të vdesë me vdekje të dhunshme,” thotë James në një video ku ai merr emrin “Profeti i Kiametit”. syri.net

Ushtria amerikane e konfirmon se një meteor ndëryjor ishte përplasur me Tokën

Një meteor përshkoi një rrugë të gjatë nga shtëpia për të vizituar Tokën në 2014-ën.

Studiuesit zbuluan meteorin e parë të njohur ndëryjor që e ka goditur Tokën, sipas një dokumenti të Komandës Hapësinore të Shteteve të Bashkuara të publikuar së fundmi.

Një meteor ndëryjor është një shkëmb hapësinor që e ka origjinën nga jashtë sistemit tonë diellor — një dukuri e rrallë kjo.

Ai është i njohur si CNEOS 2014-01-08 dhe zbriti me përplasje përgjatë bregut verilindor të Papua Guinesë së Re më 8 janar 2014.

Zbulimi erdhi si befasi për Amir Siraj, i cili e identifikoi objektin si një meteor ndëryjor në një studim të vitit 2019 ku ai ishte bashkëautor ndërsa ishte kërkues universitar në Universitetin e Harvardit.

Siraj po hetonte ‘Oumuamua, objektin e parë të njohur ndëryjor në sistemin tonë diellor që u gjet në vitin 2017, me Abraham Loeb, profesorin e shkencës në Universitetin e Harvardit.

Siraj vendosi të kalonte nëpër bazën e të dhënave të NASA-s për Studimet e Objekteve Afër Tokës për të gjetur objekte të tjera ndëryjore dhe gjeti atë që ai besonte se ishte një meteor ndëryjor brenda disa ditësh.

Nevoja për shpejtësi

Shpejtësia e lartë e meteorit është ajo që fillimisht i ra në sy Siraj.

Meteori po lëvizte me një shpejtësi të lartë prej rreth 28 milje në sekondë (45 kilometra në sekondë) në krahasim me Tokën, e cila po lëviz me rreth 18.6 milje në sekondë (30 kilometra në sekondë) rreth diellit.

Shpejtësia heliocentrike përcaktohet si shpejtësia e meteorit në raport me diellin, e cila është një mënyrë më e saktë për të përcaktuar orbitën e një objekti. Është llogaritur në bazë të këndit në të cilin një meteor godet Tokën. Planeti lëviz në një drejtim rreth diellit, kështu që meteori mund të ketë goditur Tokën kokë më kokë, që do të thotë në drejtim të kundërt të drejtimit që po lëviz planeti, ose nga prapa, në të njëjtin drejtim që lëviz Toka.

Meqenëse meteori goditi Tokën nga prapa, llogaritjet e Siraj thanë se meteori po udhëtonte me rreth 37.3 milje në sekondë (60 kilometra në sekondë) në krahasim me diellin.

Më pas ai përcaktoi trajektoren e meteorit dhe zbuloi se ishte në një orbitë të palidhur, ndryshe nga orbita e mbyllur e meteorëve të tjerë. Kjo do të thotë se në vend që të qarkullonte rreth diellit si meteorët e tjerë, ai erdhi nga jashtë sistemit diellor.

“Me sa duket, ai u prodhua nga një yll tjetër, u dëbua nga sistemi planetar i atij ylli dhe ashtu ndodhi që të hyjë në sistemin tonë diellor dhe të përplaset me Tokën,” tha Siraj. syri.net

Deklarata e fortë e zyrtarit amerikan: Shqipëria në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, shenjë turpi për vendin

Shqipëria vijon të jetë në listën gri të pastrimit të parave, mes vendeve që janë me monitorim të shtuar. Kështu deklaroi Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell, i cili tha se pozicionimi i Shqipërisë në listën gri është një shenjë turpi për vendin. Megjithatë zyrtari amerikan vlerësoi aksionet e fundit të SPAK, kryesisht sa i përket dosjes së inceneratorëve.

“Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin. E cila ngre pikëpyetje besueshmërinë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një ndikim kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë. Po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria. Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë”, u shpreh Rockwell.

Zyrtari amerikan Rockwell tha se në Shqipëri shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme, kryesisht rreth qyteteve të mëdha dhe në bregdet.

“Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar. Përfshirja e shoqërisë civile në luftën kundër pastrimit të parave është një tjetër hap i rëndësishëm, por edhe media si një faktor jo vetëm denoncues, por edhe parandalues”, tha ai.

SHBA i bën thirrje Kinës ta bind Rusinë ta ndalojë luftën

RFE/RL

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen i ka bërë thirrje Kinës që të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në një fjalim në Uashington më 13 prill, Yellen tha se shpreson se Kina do të bëjë diçka pozitive nga “marrëdhëniet speciale” të afirmuara së fundmi me Rusinë për të ndihmuar në përfundimin e luftës dhe tha pozita e Pekinit në botë do të pësojë nëse dështon të bëjë një gjë të tillë.

“Qëndrimi i botës ndaj Kinës dhe gatishmëria e saj për të përqafuar integrimin e mëtejshëm ekonomik mund të ndikohet nga reagimi i Kinës ndaj thirrjes sonë për veprim të vendosur ndaj Rusisë”, tha Yellen.

Yellen theksoi gjithashtu se administrata Biden është e vendosur në angazhimin e saj për të kërkuar llogari nga Rusia për “sjelljen e saj të tmerrshme” dhe shkeljet e saj të ligjit ndërkombëtar, duke paralajmëruar se ata që kërkojnë të minojnë sanksionet perëndimore përballen me pasoja.

“Koalicioni i unifikuar nuk do të jetë indiferent ndaj veprimeve që minojnë sanksionet që kemi vendosur”, tha ajo.

Qasja shumëpalëshe e Biden i ka mundësuar Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara të imponojë kosto të konsiderueshme ndaj Rusisë, tha Yellen, duke e bërë të qartë se vendet e G7 vepruan në emër të një rendi global të bazuar në rregulla që mbron paqen dhe prosperitetin.

Derisa presidenti rus Vladimir Putin t’i japë fund “luftës së tij të tmerrshme”, ajo tha se administrata e Biden do të punojë me partnerët e saj për ta shtyrë Rusinë më tej drejt izolimit ekonomik, financiar dhe strategjik.

“Kremlini do të detyrohet të zgjedhë midis mbështetjes së ekonomisë së tij dhe financimit të vazhdimit të luftës brutale të Putinit”, tha Yellen.

Fjalimi i Yellen vjen derisa Uashingtoni dhe aleatët kërkojnë të bëjnë presion ndaj Indisë, Kinës dhe vendeve të tjera që të marrin një qëndrim të qartë kundër Rusisë.

Sekretarja e Thesarit i SHBA-së pranoi gjithashtu se lufta ka rritur ndjeshëm çmimet e ushqimit, energjisë dhe disa metaleve.

Evi Kokalari: Turpi bie mby ty Elmi Berisha dhe Vatrës që e keni kthyer në klub fshati! Ja keni shkaterruar dinjitetin Vatrës. TURP!!

Aktivistja e njohur Republikane Evi Kokalari ka reaguar në rrjetin social rreth një propozimi për president të Shqipërisë nga kryetari i Vatrës Elmi Berisha. Momentalisht një grup Vatranësh përfshi edhe kryetarin e Kuvendit nuk pranojnë se mandati nga dy vjet në katër vjet është i votuar,  i cili sipas delegatëve Vatranë, nuk kishte kuorum dhe rezultari ishte 12 pro 11 kundër dhe 2 abstenime. Midis tyre ka zëra dëshmitarë që thonë se manipulimi i bë aty sy në sy.
Më poshtë po e sjellim të plotë reagimin e Evi Kokalarit në Facebook:
“Kuptoni tani pse se marrim më seriozisht Vatrën???
Boll me këtë skandal!!!
Elmi Berisha, votat për nenin që ta zgjat afatin ty si kryetar nga dy vjet në katër vjet, janë vënë në dyshim. Na thuaj pak, i ke fallcifikuar? Përgjigju njerëzve.
Dhe Dritan Demiraj është njëriu më ordiner dhe vulgar që kemi në komunitet.
Kam një teks msg. të gjatë që Demiraj i ka dërguar Lul Bashës ditën që une i dola në krahë Sali Berishës. Teksti qe i mbushur me gënjeshtra dhe fyerje. Do ta publikoj nëse është e nevojshme.
Lul Basha atë tekst ia dërgoj shumë njerëzve dhe Saljani fyerjet e tija i kishte bazuar pikërisht në atë tekst msg.
Demiraj nuk është i denjë për asnjë detyrë publike, jo më për President.
Por turpi bie mbi ty personalisht dhe Vatrës që e keni kthyer ne klub fshati.
Dhe boll gënjyet për gradat e Demirajt nga DASH. Janë pallavra.
I dashur Elmi Berisha, të sygjeroj ta tërhiqni këtë budallallëk menjëherë, ndryshe do t’i bashkohem atij grupi që kanë kohë që ju luftojnë dhe deri tashti i kam shmangur për punë kohe.
Ja keni shkaterruar dinjitetin Vatrës. TURP!!
Dhe që të jemi të qartë, Demiraj ka bërë luftë me Bashen kundër Sali Berishës këto muajt e fundit.
Tashti i dërgoni Alfons Grishajn doktorit në zyrë. Me kë talleni ju? Hipokrit!!
Anëtaret e vjetër të Vatrës janë me Sali Berishën. Ju të tjerët jeni individë që s’keni asnjë lidhje me Vatrën, as nuk e kuptoni, as nuk e mbroni, thjeshtë e përdorni!”

Pentagoni u kërkon 8 prodhuesve më të mëdhenj të armëve, të takohen për të furnizimin e Ukrainës

Pentagoni do të presë liderët nga tetë prodhuesit kryesorë të armëve amerikane të mërkurën për të diskutuar kapacitetin e industrisë për të përmbushur nevojat e Ukrainës për armë nëse lufta me Rusinë zgjat me vite, thanë të martën dy persona në dijeni për takimin.

Kërkesa për armë është rritur pasi pushtimi i Rusisë nxiti transferimin e armëve të SHBA-së dhe aleatëve në Ukrainë. Rifurnizimi si dhe planifikimi për një luftë më të gjatë pritet të diskutohet në takim, thanë burimet për Reuters në kushte anonimiteti.

Zyra e Blerjes dhe Mbështetjes e Pentagonit, blerësi i armëve për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, do të drejtojë takimin 90-minutësh dhe Zëvendës Sekretarja e Mbrojtjes Kathleen Hicks pritej të merrte pjesë, tha një nga personat.

Pentagoni ka thënë se armët më të dobishme janë sistemet më të vogla si raketat antitank Javelin dhe raketat anti-ajrore Stinger, të cilat Uashingtoni dhe aleatët i kanë dërguar në Ukrainë pothuajse çdo ditë.

Përdorimi intensiv, si dhe efektiviteti i fushëbetejës i shfaqur nga forcat ukrainase, ka nxitur interesin për rifurnizimin me këto armë.

Raytheon Technologies dhe Lockheed Martin Corp prodhojnë së bashku Javelins, ndërsa Raytheon prodhon Stingers.

Prodhuesit e tjerë kryesorë të armëve janë Boeing Co Northrop Grumman, General Dynamics dhe L3Harris Technologies. syri.net

Sekretari Blinken: Një zmbrapsje alarmuese e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut

VOA/Nike Ching

Pas publikimit të raportit të përvitshëm për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me tone të zymta.

“Kthimi pas (për respektimin e të drejtave të njeriut) fatkeqësisht vazhdon”, tha Sekretari Blinken, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Shohim se çfarë lë pas kjo valë – trupa, duar të lidhura, të braktisur nëpër rrugë; teatro, stacione treni, godina banesash të shndërruara në rrënoja me civilët brenda tyre”, tha kryediplomati amerikan, ndërsa Rusia vazhdon me mizoritë sistematike dhe në masë të gjerë në Ukrainë.

Për Rusinë, raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 nënvizoi dhunën e ushtruar ndaj kritikëve të Kremlinit dhe burgosjen e tyre. Vetëm këtë javë, një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit rus Vladimir Putin dhe një kritik i vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën, Vladimir Kara-Murza, u arrestua dhe u ndalua në Moskë.

Të tjerë, përfshirë Alexei Navalnin, i cili u helmua dhe u burgos, renditen si shembuj të privimit arbitrar të jetës nga Rusia dhe hakmarrjeve të motivuara politikisht kundër individëve brenda dhe jashtë vendit.

“Qeveritë po burgosin më shumë kritikë. Sot, më shumë se një milion të burgosur politikë mbahen në mbi 65 vende”, tha Sekretari Blinken.

“I bëjmë thirrje Rusisë që të ndalojë abuzimin e ligjeve represive” për të vënë në objektiv qytetarët e saj, protestuesit jo të dhunshëm dhe paqësorë, si dhe individët që nuk po bëjnë asgjë më shumë se mbrojtjen e të drejtave të tyre universale, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konference për shtyp të martën.

Edhe përpara se të fillonte sulmi i Rusisë, Departamenti i Shtetit tha se sulmi i Moskës në vitin 2014 dhe aneksimi i Gadishullit të Krimesë të Ukrainës ka patur një efekt të rëndësishëm negativ në situatën e të drejtave të njeriut.

“Qeveria ruse vazhdoi të armatoste, stërviste, drejtonte dhe luftonte përkrah forcave separatiste të udhëhequra nga Rusia në Ukrainën lindore. Autoritetet gjithashtu kryen arrestime, ndalime dhe gjykime të motivuara politikisht të qytetarëve ukrainas në Rusi, shumë prej të cilëve pretendojnë se janë torturuar”, thuhet në raport.

Për Kinën, Departamenti i Shtetit tha se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” ndaj ujgurëve kryesisht myslimanë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang kanë vazhduar, me “arrestime masive të më shumë se një milion ujgurëve” dhe grupeve të tjera të pakicës myslimane në kampe internimi jashtëgjyqësore dhe dy milionë të tjerë që i nënshtrohen “riedukimit” gjatë ditës.

Në janar 2021, Shtetet e Bashkuara i klasifikuan zyrtarisht politikat e Kinës ndaj ujgurëve si gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Zyrtarët e qeverisë kineze dhe të shërbimeve të sigurisë shpesh bënë shkelje të të drejtave të njeriut pa u ndëshkuar, thuhet në raport.

“Problemet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme të vrasjeve arbitrare ose të paligjshme nga qeveria; zhdukjet e detyruara nga qeveria; torturat nga qeveria; kushtet e ashpra dhe kërcënuese për jetën në burg dhe gjatë paraburgimit”, thotë Departamenti i Shtetit.

Për Iranin, raporti amerikan paraqet një pamje të rëndë, duke përmendur abuzime të rëndësishme të të drejtave të njeriut, përfshirë raporte të besueshme të ekzekutimeve për krime që nuk përmbushin standardin ligjor ndërkombëtar; vrasje arbitrare nga qeveria dhe agjentët e saj; zhdukjet me forcë që i atribuohen qeverisë dhe agjentëve të saj; tortura ose trajtim mizor, çnjerëzor ose poshtërues nga qeveria dhe agjentët e saj; si dhe arrestimi apo ndalimi arbitrar.

“Ne vazhdojmë të gjejmë mënyra si në publik ashtu edhe në mënyra shumë të matura për të mbështetur njerëzit që po përpiqen të avancojnë situatën e të drejtave të njeriut në Iran”, tha Lisa Peterson, ushtruese e detyrës së ndihmës sekretares së shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe çështjet e punës. “Ne kemi vënë gjithashtu në veprim një sërë mekanizmash të sanksioneve”, shtoi ajo.

Raporti gjithashtu vuri në dukje veprimet e qeverisë egjiptiane kundër disidentëve politikë, korrupsionin e vazhdueshëm nga udhëheqësi venezuelian Nicolas Maduro dhe ndihmësit e tij kryesorë, dhe kufizimet e vendosura në fjalimin politik nga qeveritë si Kuba, Etiopia, Sudani dhe Bjellorusia.

Për gati pesë dekada, Departamenti i Shtetit ka publikuar raportin e tij vjetor mbi praktikat e të drejtave të njeriut. Raporti i vitit 2021 mbulon 198 vende dhe territore anembanë globit.

Disa të plagosur në një stacion metroje në Nju Jork

RFE/RL

Disa persona janë qëlluar me armë zjarri dhe të paktën 13 persona janë plagosur të martën në një stacion metroje në Nju Jork, ku autoritetet gjetën eksplozivë të pashpërthyer, tha Departamenti i Zjarrfikësve.

Incidenti ndodhi në mëngjes, ku stacioni i metrosë në Bruklin është mjaft i ngarkuar, raportuan mediat. CNN dhe media të tjera kanë raportuar se të paktën pesë persona janë plagosur me armë zjarri, teksa janë thirrur në burime brenda Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut.

Ende është i paqartë numri i personave të plagosur, përfshirë edhe të atyre që janë qëlluar me armë zjarri.

Associated Press duke u thirrur në burime që kanë njohuri me hetimin e kësaj ngjarjeje, tha se informacionet paraprake sugjerojnë se një i dyshuar ishte veshur me rroba të punëtorëve ndërtimorë dhe kishte një gazmaskë.

Një fotografi nga skena shfaqi njerëz që ndihmonin pasagjerët e gjakosur të cilët ishin të shtrirë në stacionin e metrosë.

Kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, tha se është informuar për të shtënat në stacionin në Bruklin.

“Përderisa ne mbledhim më shumë informacione, u bëjmë thirrje njujorkezëve që të qëndrojnë larg kësaj zone për sigurinë e tyre dhe në mënyrë që zyrtarët të mund të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të hetojnë rastin”, shkroi në Twitter Fabrien Levy, zëdhënësi i kreut të Nju Jorkut.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, trenat në këtë stacion janë vonuar gjatë mëngjesit të së martës.

 


Send this to a friend