VOAL

VOAL

Biden: Shtetet e Bashkuara do të rrisin praninë ushtarake në Evropë

VOA

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë forcat dhe pajisjet ushtarake në të gjithë Evropën, në përgjigje të kërcënimeve nga Rusia.

Duke folur gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai nënvizoi përkushtimin e aleancës për të mbrojtur “çdo pëllëmbë të territorit të saj”.

“Shtetet e Bashkuara do të forcojnë praninë në Evropë si përgjigje ndaj ndryshimit të mjedisit të sigurisë dhe për të forcuar sigurinë tonë kolektive. Më herët gjatë viti ne bëmë gati 20 mijë trupa shtesë për Evropën për të përforcuar aleancën si përgjigje ndaj veprimit agresiv të Rusisë, duke e çuar në 100 mijë numrin e forcave tona në Evropë. Do të vazhdojmë ta përshtasim praninë tonë përballë kërcënimeve në këshillim të ngushtë me aleatët tanë”.

Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë praninë e luftanijeve në Spanjë, do të vendosin një bazë të përhershme, trupa shtesë në Rumani, në Baltik, dy skuadrilje shtesë të avionëve F-35 në Britaninë e Madhe dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Gjermani dhe në Itali.

“Do të miratojmë konceptin e ri strategjik të NATO-s dhe të ritheksojmë unitetin dhe përkushtimin e aleancës për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, tha presidenti Biden.

Ai theksoi se në dritën e agresionit rus në Ukrainë, u dëshmua se “NATO-ja është më nevojshme se sa kurrë dhe është më e rëndësishme se kurrë”.

Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur në Madrid, në takimin e nivelit të lartë që do të përfshijë diskutimin e mbështetjes për Ukrainën dhe mënyrën se si aleanca do të përshtatet për të përballuar sfidat aktuale dhe ato të së ardhmes.

Dhjetëra viktima dhe të plagosur në një kamion të braktisur në Teksas

Pamje nga vendi ku është gjetur kamioni me viktima.

RFE/RL

Të paktën 46 persona, të cilët besohet se kanë qenë emigrantë, janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në një paralagje të San Antonios në Teksas.

Një zjarrfikës ka thënë se 16 persona, përfshirë katër fëmijë, janë dërguar në spital.

Të mbijetuarit kanë qenë “të nxehtë në prekje” dhe kanë vuajtur nga nxehtësia e madhe.

San Antonio, qytet rreth 250 kilometra nga kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, është rrugë kryesore transiti për kontrabanduesit e njerëzve.

Trafikuesit zakonisht përdorin kamionë për të transportuar migrantët pa dokumente, pasi të kenë kaluar në SHBA.

“Ata kanë pasur familjet me vete.. me siguri kanë qenë në kërkim të një jete më të mirë”, ka thënë kryetari i San Antonios, Ron Nirenberg.

“Është ngjarje e tmerrshme, tragjedi njerëzore”.

Autoritetet kanë arritur në vendin e ngjarjes pas raportimeve për një trup të vdekur, ka thënë shefi i zjarrfikësve në San Antonio, Charles Hood.

“Ne nuk është dashur të hapim një kamion dhe të shohim gjithë ata trupa aty. Asnjëri prej nesh nuk ka ardhur në punë duke imagjinuar diçka të tillë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, makina që është braktisur nga shoferi, nuk ka pasur kondicioner dhe as ujë të pijshëm brenda.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, ka thënë se dy shtetas të Guatemalas kanë qenë në mesin e personave të dërguar në spital.

Shtetësia e viktimave tjera nuk dihet ende.

Tre njerëz janë në mbajtje dhe hetimet janë duke u kryer nga agjentët federalë.

Sekretari amerikan për Siguri Kombëtare, Alejandro Mayorkas, departamenti i të cilit ka nisur hetimet, ka thënë se “trafikuesit e njerëzve janë individë pa shpirt, që nuk kanë parasysh njerëzit e cenueshëm, të cilët i shfrytëzojnë për të rrezikuar rendin dhe për të përfituar”.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.

Beto O’Rourke, kandidati demokrat që garon kundër Abbotit, ka thënë se raportimet janë të rënda dhe ka bërë thirrje për “shkatërrim të rrjeteve të kontrabandës dhe zëvendësim të tyre me rrugë të gjera për migrim ligjor”.

Imigrimi është çështje sfiduese në politikën e Shteteve të Bashkuara.

Në muaj maj, autoritetet amerikane kanë regjistruar rekord të personave pa dokumente, të cilët janë arrestuar pas kalimit të kufirit nga Meksika.

Shumë prej tyre kanë qenë duke udhëtuar në rrugë jashtëzakonisht të rrezikshme.

Për t’i ikur varfërisë dhe dhunës në Amerikën Qendrore, shumë migrantë pa dokumente përfundojnë duke paguar shuma të mëdha parash për kontrabanduesit, ashtu që t’i dërgojnë në kufirin amerikan.

Në vitet e fundit është raportuar për disa raste kur emigrantët kanë vdekur në rrugë e sipër, mirëpo asnjë nuk i ngjan këtij të fundit.

Klima në San Antonio është e ngrohtë në muajt e verës.

Në ditën e incidentit, ky qytet ka regjistruar temperaturë prej 39.4 gradësh Celsius.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Janusz Bugajski: Moska vret civilë në mes të Evropës- vrasjet masive nga Beogradi në BH&Kosovë sollën ndërhyrjen e NATO-s

Pas sulmit me raketa të Moskës në qendrën tregëtare në Kremenchuk të mbushur me plot civilë dhe një tweet-i nga Kyiv Independent që përcjell deklaratën e presidentit Zelensky ka reaguar me një tweet Janusz Bugajski

“Moska vret civilë në mes të Evropës. Në vitet 1990, vrasjet masive të civilëve nga Beogradi në BH dhe Kosovë çuan në ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s.”

 

 

“Kyiv Independent @KyivIndependent · 3 orë ⚡️ Zelensky: “Rusia godet qendrën tregtare në Kremenchuk, ndërsa mbi mijëra njerëz brenda.” “Mall është në zjarr, zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarrin, numri i viktimave është i pamundur të imagjinohet”, tha Presidenti Volodymyr Zelensky. Volodymyr Zelensky/Telegram”

Biden nënshkruan ligjin për kontroll të armëve

RFE/RL

Presidenti amerikan Joe Biden, e ka shndërruar në ligj një dokument dypartiak për armët, çka përbën reformën më të madhe federale në tri dekadat e fundit, disa ditë pasi Gjykata Supreme ka zgjeruar të drejtat për armët.

“Kjo është ditë madhështore”, ka thënë Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Me dëshirën e Zotit, ky ligj do të ruajë shumë jetë”.

Gjykata Supreme ka deklaruar për herë të parë të enjten se Kushtetuta amerikane mbron të drejtën e një individi për të mbajtur armë në publik për vetëmbrojtje.

Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane.

Kontrolli i armëve është kthyer tash e një kohë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.

Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.

Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.

Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.

Biden ka përsëritur kritikat për vendimin e marrë nga Gjykata Supreme të premten, e cila ka eliminuar të drejtën kushtetuese për abort.

Ai ka thënë se administrata e tij do të fokusohet te vendet që do të zbatojnë këtë vendim dhe të sigurohet se ato nuk do t’i shkelin ligjet tjera.

Si ishte marrë vendimi për abortin?

Vendimi i vitit 1973 Roe v Wade ishte miratuar nga Gjykata Supreme me shtatë vota për dhe dy kundër.

Përmes këtij vendimi grave u është mbrojtur e drejta për t’iu dhënë fund shtatzënive.

Vendimi u ka dhënë grave amerikane të drejtë absolute për abort në tre muajt e parë të shtatzënisë, mirëpo e ka lejuar atë procedurë në disa raste edhe në tremujorin e dytë.

Përmbysja e këtij vendimi ka rezultuar me protesta masive në shumë shtete amerikane.

SHBA thërret në takim ambasadorët e vet nga Ballkani Perëndimor

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka publikuar një fotografi në twitter. Përveç tij, aty shihen ambasadorët amerikanë që shërbejnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, e ku janë takuar në Konferencën e shefave të misioneve të këtij viti në Washington.

Hovenier shkroi se në këtë takim kanë pasur diskutime mbi prioritetet e përbashkëta dhe mundësitë për bashkëpunim rajonal me udhëheqësinë e Zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, njofton RTK.

Në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor, duket se është tashmë në vëmendjen më të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kështu, të gjithë ambasadorët amerikanë në Ballkanin Perëndimor, të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë, do të takohen me liderët e Departamentit të Shtetit këtë javë, për të diskutuar prioritetet e SHBA në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe integrimi, që është më i rëndësishëm se kurrë. Këtë e deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, përmes një postimi në Twitter. Në fotografinë që ka shpërndarë, Kim shfaqet e buzëqeshur pranë homologëve të saj, ndërsa pranë tyre, në mes, është edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përveç ambasadores anerikane Kim që shërben në Shqipëri e ambasadorit Hovenier që shërben në Kosovë, të rreshtuar janë edhe ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ambasadori amerikan në Bosnje-Hercegovinë, Michael Murphy, dhe ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill.

Vendimi për abortin në SHBA, mijëra gra në protestë: Na kthyet 50 vite pas!

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Lartë të SHBA-së për ndalimin e procesit të abortit, ka ngjallur reagime të forta në të gjithë Atlantikun.

Mijëra gra kanë dalë në rrugët e Amerikës për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi që sipas tyre, të kthen 50 vite pas.

Në të njëjtën kohë, qytetarë të shumtë janë mbledhur jashtë Gjykatës së Lartë të SHBA për të protestuar kundër këtij vendimi.

Kujtojmë se gjashtë nga nëntë gjyqtarët votuan pro ndalimit. Tre nga gjyqtarët e shumicës u emëruan nga Donald Trump.

“Kushtetuta nuk jep të drejtën e abortit,” vendosi Gjykata e Lartë.

syri.net

SHBA- Gjykata e Lartë i jep fund mbrojtjes kushtetuese për abortin

VOA

UASHINGTON (AP) – Gjykata e Lartë amerikane i ka dhënë fund mbrojtjes kushtetuese gati 50 vjeçare për abortin – një vendim i shumicës së saj konservatore për të përmbysur çështjen historike të gjykatës.

Vendimi i së premtes pritet të çojë në ndalimin e abortit në afërsisht gjysmën e shteteve amerikane. Vendimi, i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë, ishte kulmi i përpjekjeve prej disa dekadash të kundërshtarëve të abortit, i mundësuar nga një krah i guximshëm i djathtë i gjykatës që është forcuar nga tre anëtarët e saj të emëruar nga ish-presidentit Donald Trump.

Vendimi erdhi më shumë se një muaj pas rrjedhjes së informacionit për një draft-opinion nga gjyqtari Samuel Alito që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap të rëndësishëm.

Sipas sondazheve të opinionit, vendimi e vë gjykatën në kundërshtim me shumicën e amerikanëve që favorizojnë mbrojtjen e së drejtës së abortit.

Gjykatësi Alito, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten, shkruante se çëshja Roe dhe Planned Parenthood kundër Kejsit, vendimi i vitit 1992 që ripohoi të drejtën e abortit, ishin të gabuara ditën që u vendosën dhe duhet të anulohen.

Autoriteti për të vendosur rregulla mbi abortin u takon degëve politike, jo gjykatave, shkroi gjykatësi Alito.

Me gjykatësin Alito u bashkuan gjyqtarët Clarence Thomas, Neil Gorsuch, Brett Kavanaugh dhe Amy Coney Barrett. Tre gjyqtarët e fundit janë të emëruar nga ish presidenti Trump. Gjykatësi Thomas votoi për herë të parë për të rrëzuar të drejtën e abortit 30 vjet më parë.

Gjyqtarët Stephen Breyer, Sonia Sotomayor dhe Elena Kagan – krahu liberal i gjykatës – ishin në kundërshtim.

Sipas statistikave të analizuara nga Associated Press, vendimi pritet të prekë në mënyrë disproporcionale gratë e pakicave që tashmë përballen me qasje të kufizuar në kujdesin shëndetësor.

Donald Trump do të rikandidojë për President të SHBA

VOAL- “Donald Trump sigurisht që do të rikandidojë veten në Shtëpinë e Bardhë, ai mund ta shpallë atë që në nëntor”. Kellyanne Conway, ish-kreu i fushatës zgjedhore fitimtare të Trump në 2016, e cila ka qenë prej kohësh këshilltarja e saj dhe zëdhënësja “de fakto” nuk ka dyshime.

Kellyanne Conway përballë Shtëpisë së Bardhë

 

E intervistuar nga RAI, Conway tha se ishte në kontakt me ish-presidentin. “Për momentin ai po punon për të mbështetur kandidatët e tij në zgjedhjet afatmesme politike, por pas kësaj periudhe tranzicioni do të kthehet personalisht në terren”, thotë ajo.

Megjithatë, ndryshe nga Trump, Conway beson se presidenti amerikan Joe Biden fitoi në të vërtetë zgjedhjet e vitit 2020. Por ajo gjithashtu beson se ka “shumë gjëra për të sqaruar” në atë votim. Dhe ajo mohon se duke vazhduar të argumentojë se ajo votë ishte e manipuluar, Trump po minon themelet e demokracisë amerikane. rsi-eb

Bridget Brink: Është interes jetik i Amerikës të ketë paqe dhe siguri në Evropë

VOA/Myroslava Gongadze

Ambasadorja amerikane në Ukrainë, Bridget Brink, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se është në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara që të ketë paqe e siguri në Evropë, prandaj përpjekjet e saj janë përqendruar në mbështetjen e një Ukraine që do të jetë e lirë dhe e gatshme të vendosë për të ardhmen e saj.

Zonja Brink e cila u konfirmua në muajin maj në postin e ambasadores amerikane në Ukrainë tha se me të marrë detyrën vendosi pesë synime të menjëhershme.

“I pari ishte të ndihmoja Ukrainën të mbrohet. Synimi i dytë të ndihmoj në sigurimin e llogaridhënies dhe drejtësisë për krimet e luftës dhe mizoritë. I treti, të ndihmoj për të siguruar që ndihma humanitare, veçanërisht ndihma e financuar nga Shtetet e Bashkuara, të arrijë te ata që kanë nevojë, veçanërisht në zonat e konfliktit. I katërti është të mbikëqyret kjo sasi masive e ndihmës amerikane dhe së fundmi pjesa më e këndshme e punës, të bashkojmë ekipin tonë, amerikanët dhe ukrainasit që punojnë në ambasadë”.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy, ka ritheksuar shpesh se ndihma ndërkombëtare është e domosdoshme për vendin e tij për t’u përballur me agresionin rus, duke kritikuar herë pas here aleatët perëndimorë përfshirë Shtetet e Bashkuara, për zvarritje të ndihmës ushtarake.

“Do të thosha se që nga fillimi i luftës dhe madje edhe më parë, ne kemi qenë plotësisht të përqendruar që Ukrainës t’i sigurojmë mjetet e sigurisë, armët që u duhen sa më shpejt të jetë e mundur dhe ky është në fakt përqendrimi im numër një. Unë mendoj se ka pasur disa probleme në fillim, dhe unë jam këtu vetëm për t’u siguruar që gjithçka që po bëjmë është duke mbështetur drejtpërdrejt ukrainasit në vijën e parë dhe gjithashtu, duke ndihmuar Ukrainën të përmirësojë pozicionin e saj në fushën e betejës, gjë që ne besojmë se do të ndihmojë negociatat e saj, pozicionin e saj në një kohë kur kjo të jetë e përshtatshme”.

Ambasadorja Brink tha se është tepër e rëndësishme për ekzistencën e Ukrainës, por është gjithashtu tepër e rëndësishme për sigurinë evropiane dhe për Shtetet e Bashkuara, që të mos lejohet ndryshimi me forcë i kufijve.

“Unë mendoj se ne që jemi mbështetës kaq të fortë brenda qeverisë amerikane, brenda popullsisë amerikane, e mbështesim Ukrainën sepse ne e shohim dhe e kuptojmë të ardhmen që duan ukrainasit. Dhe kjo është një e ardhme ku Ukraina është e lirë, e pavarur, e begatë, sovrane dhe duhet të vendosë për të ardhmen e saj. Për ne si amerikanë, kjo paraqet atë ne jemi. Pra, ajo që unë do të shpresoja, ajo që planifikoj të bëj dhe ajo që po bëjmë është të mbështesim Ukrainën në këtë detyrë të menjëhershme për të ngadhënjyer në përpjekjen e saj për të mbrojtur veten, që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Unë mendoj se të gjithë do të pajtoheshin. Dhe mendoj se qeveria këtu dhe njerëzit këtu do të bien dakord që një detyrë tjetër e rëndësishme është dhe do të jetë përpjekja reformuese, e cila do t’i sigurojë Ukrainës një të ardhme për fëmijët e saj”.

Udhëheqësit perëndimor e shohin luftën e Ukrainës kundër agresionit rus si luftë për vlerat perëndimore, ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen për pasojat që mund të kishte dështimi i saj në këtë luftë.

“Ukraina nuk do të dështojë dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Dhe siç e përmenda, kjo është padyshim shumë e rëndësishme për Ukrainën, dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme për sigurinë evropiane. Është me të vërtetë e rëndësishme për Amerikën, sepse siç ka thënë Presidenti Joe Biden, është moralisht e papranueshme ajo që ka ndodhur nga ky sulm i paprovokuar i pajustifikuar ndaj një kombi sovran. Por, është gjithashtu në interesin jetik të Amerikës që të ketë paqe dhe siguri në Evropë”.

Ambasadorja Brink tha se agresioni rus mund të ketë pasoja që shkojnë përtej Ukrainës dhe kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara duan t’i ndihmojnë asaj të ngadhënjejë dhe njëkohësisht janë bërë pjesë e planeve për rindërtimin e saj pas luftës.

Amerikanët festuan Juneteenth, ditën që shënoi fundin e skllavërisë

VOA

Nëntëmbëdhjetë qershori përkujton fundin e skllavërisë në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 1865 ushtarët e Unionit informuan një grup skllevërish afrikano-amerikanë në Galveston të Teksasit, se ishin tashmë të lirë, afro 2 vjet e gjysmë pas nënshkrimit nga Presidenti Abraham Lincoln të Deklaratës për Lirimin e skllevërve.

Me një vendim të Presidentit Joe Biden kjo ditë tashmë është shpallur festë kombëtare. Ajo i bashkohet 10 festave të tjera federale dhe është e para që shtohet që kur dita që përkujton lindjen e udhëheqësit për të drejtat civile në ShBA, Martin Luther King Jr., u bë festë federale në vitin 1983.

Ligji për shpalljen e kësaj date si festë mbërriti në tavolinën e Presidentit Biden një vit më parë, pas miratimit në bllok të tij në Kongres me shumicë dërrmuese, në një votim që rezultoi me 415 vota pro dhe 14 kundër.

Janusz Bugajski: Krenarë për ata që luftojnë në Ukrainë, vullnetarët serbë po i ndihmojnë rusët për një tjetër genocid!

Pas tweet-it të gazetarit të Telegrafit të Kosovës Albert Spahiu @albertspahiu ·  se” #Rusia me përfaqësuesit e saj #serbë vazhdon të përhapë❗#propaganda dhe❗#dezinformata për mercenarët nga #Ballkani Perëndimor në #Ukrainë – gënjeshtra tjetër e madhe❗#gënjeshtër: nga #Kosova 🇽🇰 u ❌ vrarë 60 ushtarë”, ka reaguar menjëherë Janusz Bugajski @JBugajski:

“Ne duhet të jemi krenarë për të gjithë ata që luftojnë në Ukrainë për lirinë tonë të përbashkët kundër kriminelëve të luftës të Moskës. Vullnetarët serbë po ndihmojnë rusët të kryejnë një tjetër gjenocid.”

 

Britania miraton ekstradimin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange në ShBA

Foto Amnesty International CH
Nga VOA

Londër — Qeveria britanike urdhëroi sot ekstradimin e themeluesit të kompanisë WikiLeaks, Julian Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat për spiunazh, një zhvillim i rëndësishëm, por jo i fundit në betejën ligjore prej një dekade.

WikiLeaks tha se do ta kundërshtojë urdhrin dhe se ka 14 ditë për ta apeluar vendimin.

Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Priti Patel nënshkroi urdhrin që autorizon ekstradimin e zotit Assange në ShBA, ku atë e pret përballja me akuza për publikimin në WikiLeaks të një sasie të madhe dokumentesh të klasifikuara.

Vendimi iu referua zonjës Patel pasi një gjykatë britanike vendosi në prill se zoti Assange mund të dërgohej në ShBA, ku ai do të përballet me gjyq për 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit.

Prokurorët amerikanë thonë se zoti Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake, që më vonë u publikuan në WikiLeaks, duke rrezikuar jetë njerëzish.

Zyra e Sekretares së Brendshme tha një një deklaratë se “gjykatat e Mbretërisë së Bashuar nuk gjetën fakte se do të ishte e padrejtë, ose abuzim, procesi i ekstradimit të zotit Assange” dhe se prandaj qeveria duhej të miratonte ekstradimin.

“Ata nuk gjetën se ekstradimi do binte në kundërshtim me të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, si dhe respektimin e lirisë së shprehjes dhe se në ShBA ai do të trajtohet siç duhet, duke përfshirë edhe shëndetin e tij”, thuhet në komunikatë.

Mbështetësit dhe avokatët e 50 vjeçarit Assange, argumentojnë se ai po vepronte në cilësinë e gazetarit dhe se Amendamenti i Parë për lirinë e shprehjes e lejon publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se rasti kundër tij është i motivuar politikisht dhe se ai nuk mund të ketë një gjykim të drejtë në ShBA.

“Sot nuk është fundi, por vetëm fillimi i një beteje të re ligjore”, tha gruaja e zotit Assange, Stella. Ajo shtoi se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar shënon “një ditë të zezë për lirinë e shtypit dhe demokracinë britanike”.

“Juliani nuk bëri asnjë të keqe”, tha ajo. “Ai nuk ka bërë asnjë krim dhe nuk është kriminel. Ai është gazetar dhe botues dhe po dënohet për punën e tij”.

Një gjykatës britanik miratoi ekstradimin në prill, duke e lënë vendimin përfundimtar në duar të qeverisë. Vendimi erdhi pas një beteje ligjore që arriti deri tek Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar.

Fillimisht, një gjykatëse refuzoi kërkesën për ekstradimin me arsyetimin se Julian Assange mund të kryente vetëvrasje nëse mbahej në kushte të rënda burgu në ShBA.

Më vonë, autoritetet amerikane dhanë garanci se themeluesi i WikiLeaks nuk do të përballej me trajtim të ashpër, që siç thonë avokatët e tij do ta rrezikonin shëndetin fizik dhe mendor të zotit Assange. Këto garanci bënë që Gjyakta e Lartë të rrëzonte vendimin e shkallës më të ulët.

Organizatat e gazetarisë dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje Britanisë që të refuzojë kërkesën për ekstradim. Avokatët e zotit Assange thonë se ai mund të përballet me 175 vite burg nëse dënohet në ShBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se dënimi mund të jetë shumë më i ulët se aq.

Sekretarja e Përgjithshme e organizatës “Amnesty International”, Agnes Callamard tha të premten, se ekstradimi i zotit Assange “do ta vinte atë në rrezik të madh dhe do të dërgonte një mesazh të frikshëm për gazetarët në mbarë botën”.

“Nëse ekstradimi miratohet, Amnesty International është jashtëzakonsiht e shqetësuar se zoti Assange do të përballet me rrezik të lartë të izolimit të zgjatur, që do të përbënte shkelje të masës që ndalon torturën ose forma tjera keqtrajtimi”, tha ajo. “Garancitë diplomatike të ofruara nga ShBA se Assange nuk do të mbahet në izolim nuk mund të merren si të mirëqena duke marrë parasysh historinë e mëparshme”.

Julian Assange është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë “Belmarsh” në Londër që nga viti 2019, kur ai u arrestua për shkelje të lirimit me kusht gjatë një beteje tjetër ligjore. Para kësaj, ai kaloi shtatë vite i strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballet me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual.

Suedia i pushoi hetimet për krime seksuale në nëntor 2019, sepse kishte kaluar shumë kohë.

Në mars, Assange dhe Stella Moris u martuan në një ceremoni të zhvilluar në burg. Tani ata kanë dy djem.

KOSOVA LINDORE, VIJA E PARË E FRONTIT ME SERBINË FASHISTE NGA Msc. AGIM ALIÇKAJ

Në New York dhe Washington delegacioni patriotik i Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) në përbërje Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi paraqitën javën e kaluar të vërtetën për pastrimin etnik dhe sjelljet anti-njerëzore të Serbisë shoviniste në takimet e shumta e të rëndësishme, me Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Z. Ferit Hoxha, me Bordin Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro-Amerikane në New York, në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit në Washington.

Vizita u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me liderët historik të Ligës, Joseph J. Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi. Meritë e veçantë dhe falënderim i takon
Kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij për financimin e kësaj vizite me rëndësi për çështjen kombëtare dhe kundërvënjen armikut serb.

-Shteti fashist serb vazhdon me sjelljet armiqësore anti-shqiptare dhe destabilizim të Evropës. I shtypë shqiptarët e Kosovës Lindore duke proklamuar “open Ballkan” me qëllim të plotësimit të aspiratave ruso-serbe për dominim në Evropën Juglindore dhe dalje në detin Adriatik.

-Të gjithë pjesëmarrësit në “Ballkanin e hapur” janë në shërbim të përpjekjeve për rehabilitimin e kriminelëve serb në krye me Vuçiq. Ata në mënyrë të drejtpëdrejtë janë duke e shtyer dhe pamundësuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Ata do të dështojnë me turp.

-Gjenocidi serb 2 shekullorë kundër popullit shqiptar nuk mund të fshihet, as të harrohet, as të falet kurrë dhe nga askush. Kriminelët serb të cilët kalërojnë hapur nëpër Beograd duhet të përballen me drejtësinë. Kërkesa për drejtësi nuk konsiderohet hakmarrje në botën e civilizuar.

– Qeverisja aktuale e Kosovës e ka kuptuar gabimin trashanik të qeverisjes së kaluar të cilët nuk insistuan që plani i Ahtisarit t’i përfshijë të drejtat e popullit shqiptar që jeton në tokat e veta në Serbi. Reciprociteti në të drejta është formula e vetme për ta mundur Serbinë. Konfliktin me të duhet ç’vendosur nga Kosova në Kosovën Lindore. Aty duhet të organizohet rezistenca, aty është vija e parë e frontit të konfrontimit me Serbinë fashiste.

– Serbëve të Kosovës nuk ju takon asnjë e drejtë më shumë se shqiptarëve që jetojnë në tokat stërgjyshore të okupuara nga Serbia. Dhe, pikë.

-Kombi shqiptar i bashkuar dhe i përkrahur nga Amerika është më i fortë se Serbia dhe Rusia fashiste. Fitorja është e jona dhe varet vetëm nga ne.

Gjenerali i lartë amerikan: Rusia ka humbur 20-30% të forcës së saj të blinduar

Gjenerali amerikan Mark Milley, është shprehur se rusët kanë humbur afërsisht 20-30% të forcës së tyre të blinduar gjatë luftës në Ukrainë.

Kjo është e rëndësishme, kjo është e madhe,” tha kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët para gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Rusët po kryenin gjuajtje masive por pa arritur domosdoshmërisht efekt ushtarak“, tha ai.

Por ukrainasit po përdornin teknika shumë më të mira artilerie dhe duke bërë një luftë shumë efektive taktikisht me zjarre dhe manovra.

Ai tha gjithashtu se raportet në media se 100 ushtarë ukrainas po vdisnin çdo ditë, me 100-300 të tjerë të plagosur, ishin në bazë të vlerësimeve të SHBA.

syri.net

Biden njofton rreth 1 miliard dollarë më shumë ndihmë për Ukrainën

VOA/Marrë nga Reuters

Presidenti Joe Biden njoftoi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një ndihmë ushtarake shtesë prej 1 miliard dollarësh për Ukrainën, sasia më e madhe e armëve dhe pajisjeve ushtarake që dërgohet njëherësh në një ngarkesë, që nga fillimi i luftës.

Ndihma është pjesë e masave për të ndalur Rusinë në përpjekjet e saj për të pushtuar rajonin lindor të Donbasit. Moska po përparon ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshëm në këtë rajon.

Ndihma përfshin sisteme raketash kundër anijeve, armë të artilerisë së rëndë howitzer dhe më shumë municione për sistemet e raketave me lëvizshmëri së lartë, për të cilat forcat amerikane po trajnojnë tashmë trupat ukrainase. Këto armatime të reja të rënda janë ato që kanë kërkuar me urgjencë udhëheqësit e Ukrainës.

Presidenti Biden tha gjithashtu se SHBA-të do të dërgojë edhe 225 milionë dollarë më shumë në ndihma humanitare, çka do të siguronte ujë të pijshëm, ilaçe, ushqime, kujdes shëndetësor, strehim dhe para për familjet ukrainase, për të blerë sende thelbësore.

Nëpërmjet një deklarate Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur “banorët e Ukrainës, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga lufta”.

Me herët gjatë ditës së sotme, në një takim në Bruksel me pjesmarrjen e një numri të madh ministrash të mbrojtjes, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se sulmi i Rusisë në Ukrainë ndodhet në një pikë kritike ndaj Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk duhet ta humbasin përqëndrimin në konfliktin e gjatë tre mujor.

Takimi, krahas ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, u përqendrua tek furnizimet me armë për Ukrainën. Kjo është hera e tretë, që grupi me pjesëmarrjen e afro 50 vendeve, takohet për të diskutuar dhe koordinuar ndihmën për Kievin. Takimi i mëparshëm, ishte zhvilluar në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, në muajin prill.

Të hënën këshilltari i presidentit të Ukrainës Mykhailo Podolyak tha se Kievi ka nevojë për 1,000 armë artilerie të rëndë (howitzers), 500 tanke dhe 1,000 dronë, krahas armatimeve të tjera të rënda.

Nuk e kemi luksin të ulim ritmin. Rreziqet janë shumë të mëdha“, tha zoti Austin në fillim të takimit në Bruksel.

Ne duhet të intensifikojmë angazhimin tonë të përbashkët për vetëmbrojtjen e Ukrainës dhe duhet ta nxisim veten edhe më shumë për t’u siguruar që Ukraina të mund ta mbrojë veten, qytetarët dhe territorin e saj”, shtoi zoti Austin.

Para fillimit të takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se aleatët do të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me artileri të rëndë dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi dhe se ai pret që ata të bien dakord për një paketë të re ndihmash për Kievin, gjatë takimit të NATO-s që mbahet po këtë muaj.

Ndonjëherë këto përpjekje kërkojnë kohë. Kjo është pikërisht arsyeja se pse është e rëndësishme që të kemi një takim si ky i sotmi. Për t’u takuar me përfaqësuesit e Ukrainës, për të identifikuar sfidat dhe çështjet që ata do të donin të ngrinin me ne“, tha zoti Stoltenberg.

Janusz Bugajski: Vuçiq dhe Putin janë mjeshtër të mohimit dhe mashtrimit

Ka reaguan me një tweet Janusz Bugajski pas takimit të kancelarit gjerman Olaf Scholz me Vuçiç, i cili i konsideron të Serbisë territoret e Kosovës:

“Vuçiq dhe Putin janë mjeshtër të mohimit dhe mashtrimit” -shkruan Janusz Bugajski.

“Kosova u çlirua për të ndaluar gjenocidin shtetëror, ndërsa Rusia rrëmben territore nga shtetet e tjera përmes gjenocidit.”

Televizioni Boin është CNN-i i Malësisë dhe i Diasporës Nga Gjekë Gjonlekaj/

 

Në verën e vitit 2000 një grup malësorësh shqiptarë udhëtuam nga New York-u për në Prishtinë, për të vizituar Kosovën tonë të lirë. Arritëm atje në Itakën tonë pas një çerek shekulli. Ishim dënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, sepse kishim qënë aktiv në lëvizjen e shqiptarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për bashkimin kombëtar, edhe pse të gjitha aktivitetet tona kishin qënë në pajtueshmeri me Kushtetutën dhe ligjet amerikane. Ndërsa po kalonim me aeroplan nëpër qiellin e kaltërt të Dardanisë nga dritaret e aeroplanit po shikonim fushat dhe malet e bukura të asaj treve historike dhe legjendare.

Përveç qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë kishin ardhur edhe një grup malësorësh nga Mali i Zi, midis të cilëve dalloheshin Tomë Bojaj dhe Luigj Berishaj të emisionit televiziv në gjuhën shqipe në Podgoricë për të marre pjesë në Panairin e Librit. Aty po merrja pjesë edhe unë me disa vepra të botuara anglisht dhe shqip në New York. Organizatorët e këtij Panairi e pritën mirë ndërmarrjen time botuese Gjonlekaj Publishin Company. Gjatë atyre ditëve në Prishtinë shumicën e kohës e kaluam me Tomën Bojaj dhe Luigjin Berishaj. Tomë Bojaj ishte njeri i veçantë. Ky djalë i ri të jepte përshtypjen e një profesionisti që aspironte punë të mëdha dhe të mira. Toma ishte shumë i matur dhe i ndjeshëm ndaj çështjes kombëtare. Fliste ngadalë dhe nuk premtonte shumë. Kishte alergji ndaj fjalëve të mëdha e punëve të vogla. Ishte optimist në jetë, por ajo çka shkëlqente në sytë dhe fytyrën e tij ishin cilësitë e tij të mrekullueshe prej një patrioti të vërtetë. Fliste me pasion për historinë, kulturën dhe traditat tona, e veçanërisht ato të Malësisë së Madhe.

U miqësuam në Prishtinë, mbase ndikim të madh kishin idealet dhe profesionet tona të përbashkëta. Toma ishte elegant dhe çdo punë i kishte hije. Ishte shumë i brengosur lidhur me shtypjet dhe diskriminimet sërbo-malazeze ndaj malësorëve. Këto cilësi fisnike dhe patriotike e shtynë që një vit më vonë, pikërisht Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 2001 të themelonte Televizionin e pavarur në gjuhën shqipe.

Data të cilën e kishte caktuar për inagurimin e këtij televizioni tregonte më së miri kush ishte Tomë Bojaj. Këtij televizioni i dha emërin BOIN që ishte vendlindja e tij në Grudën historike të Malësisë së Madhe, ku kishin jetuar shumë familje të përmendura . Puna dhe përpjekjet për themelimin e këtij televizioni kishin qënë tepët të vështira, por Toma dhe bashkëshortja e tij Sandra Bojaj ia kishin vënë themelet e forta që për më shumë se dy dekada nuk e lëkundën asnjë herë stuhitë e ndryshme, bile as ato shoviniste. Ky televizion u themelua për qëllime të mira kombëtare dhe Zonja Bojaj meriton respekt gjithëkombëtarë sepse po e vazhdon amanetin e burrit të saj të ndjerë.

Tragjedia e tij personale sëmundja dhe më vonë vdekja kishin qënë katastrofë e papërshkrueshme për familjen e tij dhe për të gjithë malësorët në Malësi e në diasporë.Toma u përcoll me nderime të mëdha. Dom Nosh Gjolaj në një intervistë që u transmetua në TV BOIN e krahsoi Tomë Bojajn me burrat më të përmendur të Malësisë së Madhe. Në ato kohë të vështira dëgjoheshin përshpërima se ky televizion mund të ndërpriste transmetimet. Por shikuesit e rregullt të këtij televizioni i luteshin Zotit që të mos ndodhë një gjë e tillë.

Zonja Sandra Bojaj ishte para dy provave të mëdha e të vështira: jeta, edukimi dhe arsimi i katër fëmijëve të moshës tepër të re. Por edhe vazhdimi i Televizionit BOIN, që ishte amanet i burrit të saj.

Ajo mori dy përgjegjësi të mëdha në jetë, duke vazhduar kujdesin e gjithanshëm të fëmijëve dhe të Televizionit BOIN me nder e dinjitet. Qëndrimi i saj na kujton ato malësoret fisnike të shekullit të kaluar, të atyre malësoreve te mrekullueshme të cilat pas vdekjes së burrave ruanin shtëpinë, nderin e familjes dhe fisit. Ky rast i veçantë evokon një zonjë amerikane e cila mori përsipër vazhdimin e gazetës “The Washington Post” pas vdekjes tragjike të burrit të saj. Kjo grua e famshme amerikane quhej Katharine Graham e cila e menaxhoi këtë gazetë, duke hyrë në historinë e Amerikës për guximin dhe aftësitë e saj të veçanta në përparimin e gazetarisë. Ajo ishte gruaja e parë në Amerikë e cila kishte krijuar “Tryezën e Rrumbullakët”, për t’u ulur të gjithë njësoj. Zonja Katherine Graham vdiq në vitin 1991 dhe u përcoll për në amëshim me nderimet më të mëdha nga elita politike dhe intelektuale e Washingtonit, ku kishte marrë pjesë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. Bush dhe dy ish-presidentë amerikanë.

Sot qytetërimi botëror e konsideron televizionin si fuqinë e katërt të shoqërisë njerëzore, ku bëjnë pjesë ekzektivi, legjislativi dhe gjyqësori. Televizioni BOIN shkëlqen si drita e diellit në ekranet televizive të Malësisë mbase edhe me shumë në diasporën e Amerikës dhe Evropës. Malësorët e Amerikës bile edhe ata që e kuptojnë mirë gjuhën angleze, përsëri qëndrojnë gjithë ditën dhe në mbrëmje deri vonë me këtë kanal të dashur. Qëndrojnë edhe më shumë ata që kanë nostalgji për vendlindjet e tyre. TV BOIN është një pasqyrë e vërtetë e Malësisë dhe Tuzit. Gazetarët dhe punëtorët teknikë janë të mrekullueshëm. Gazetaret e TV BOIN bisedojnë me popullin shumë të qeta dhe pa provokime. Edhe telespektatorët e diasporës ndihen mirë kur i shikojnë emisionet të cilat i drejtojnë ato. TV BOIN është shumë i kujdesshëm ndaj te varfërve, që tregon se janë edhe humanistë. Të gjitha këto veprime bëhen me sugjerimet e Drejtoreshës Ekzekutive Zonjës Sandra Bojaj dhe personelit të këtij televizioni. TV BOIN ishte iniciator për ndërtimin e gjithë atyre shtëpive për më të varfërit. Kameramanët Mark Ujkaj dhe Xhenan Dresheviq janë specialistë të xhirimeve më të bukura të ngjarjeve dhe natyrës piktoreske të maleve dhe fushave tona. Edhe këta meritojnë respekt njësoj si personeli i gazetarisë.

TV BOIN luan rol të shkëlqyeshëm në afirimin e të rinjëve dhe të rejave duke filluar nga shkollat fillore deri në shkollën e mesme të Tuzit. Ky emisin televiziv është shumë korrekt dhe i balancuar me instituconet fetare, qofshin ato të krishtera ose islame. Ata përciellin me shumë kujdes të gjitha aktivitetet kulturore, duke qënë të pranishëm në gëzime dhe hidhërime të mëdha. TV BOIN ishte pranë Tuzit dhe Malësië për kërkesat e tyre politike, sidomos për themelimin e Komunës së Tuzit. Ky televizon transmeton me përgjegjësi dhe përpikmëri të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Tuzit dhe festat tjera të kësaj Perfekture shumë të re, duke qënë shumë objektiv kur është fjala për përparimet e medha gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësië në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur t’i kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës. Shumica e bashkëvendasve tanë nga ato treva janë shumë të kënaqur me punën që bën TV BOIN.

Ky televizion ka bërë gjithë ato dokumentare filmike dhe reportazhe. Marrim si shembull reportazhin e fundit në lidhje me “Kullën e Çun Mulës dhe pasardhësve të tij. Ky reportazh zgjoi ndjenjat e respektit dhe dashurisë në diasporë për këtë familje heroike dhe fisnike, ku bën pjesë edhe autori i këtij shënimi. Te mos harrojmë vlerën e madhe të Arkivit të TV BOIN.

Për më shumë se dy dekada, e nuk kam dëgjuar dhe as nuk kam parë asnjë përpjekje ose thirrje serioze shoqërore për të ndihmuar vazhdimisht këtë emision televiziv. Është e vërtetë se disa individë kanë dhënë kontribute të dukshme për të mirën e këtij mediumi, por numri i tyre është i vogël. Kohët po ndryshojnë dhe ekonomia po stagnon, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe lëndëve tjera djegëse.

Automjetet të cilat duhet t’i vëjë në veprim TV BOIN kërkojnë shumë gaz dhe riparime dhe kjo gjëndje që filloi pas sulmit të Rusisë në Ukraian e përkeqësoi gjëndjen, sidomos ekonominë e cila varet tek nafta. Televizioni BOIN për ne në Amerikë është si një dritare, jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysëm errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë. Zonja Bojaj ka kaluar ditë të vështira sidomos pas vdekjes së burrit të saj, ngase disa njerëz të mbrapshtë të pabesë të Malësisë në bashkëpunim me oraganet antishqiptare e kanë kërcënuar shumë herë me gjoba dhe kërcënime të tjera shumë shqetësuese. Të gjithë e dimë se në të gjitha veprimtaritë serioze çështja financiare luan rol vendimtar. Dëgjohen fjalë të mira për Boinin.

Po një fjalë e urtë popullore thotë: “fjalët e mira dhe gurët në strajcë nuk ndihëmojnë gjë”. Dëgjoj fjalë të mira por siç duket ato janë gurë në strajcë e jo bukë në strajcë. Në Kosovë populli thotë: “është me të dhënme e jo me të thënme”. Sikur mijëra familje të jepnin vetëm 25 cent amrikane ( një quarter) në ditë TV BOIN do të shkëlqente. Ata do të kishin mundësi të dërgonin bashkëpunëtorë dhe korrespondentë në të gjitha shtetet ku jeton diaspora. Diaspora e Malësië në Amerikë dhe në Evropë mund të kontribojë qindra mijëra dollarë në vit. TV BOIN duhet të hapë një llogari rrjedhëse për depozitimin e mjeteve drejtëpërsëdrejti, mundësisht edhe ndonjë llogari tjetër elektronike moderne për grumbullimin e fondeve. Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tring Smalja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit.

Viti i parë i dekadës së tretë të këtij Televizioni duhet të jetë viti më i sukseshëm i mbështjes financiare. Në qoftë se ne e plotësojmë këtë mbështetje, atëherë edhe Televizioni BOIN do plotësojë dëshirat tona.

Im zot Noli do të kishte thënë mbahu Sander e mos ki frikë se ke vëllezrit në Amerikë.

McCaul: SHBA të japë gjithë mbështetjen e duhur që Ukraina të zmbrapsë forcat ruse

VOA/Ani Chkhikvadze

Kreu i republikanëve në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme Michael McCaul thotë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin Ukrainës gjithë ndihmën e duhur ushtarake që ajo të mund të zmbrapsë Rusinë. Ligjvënësi McCaul në një intervistë për Shërbimin Gjeorgjian të Zërit të Amerikës thotë se lufta është në një moment kritik. Ai shton se krimet e luftës e kanë bërë të vështirë të negociohet me Vladimir Putinin, por se në fund të fundit kjo varet nga Kievi dhe presidenti Volodymyr Zelenskiy. Zoti McCaul flet gjithashtu për ndikimin rus në Ballkan.

Zoti McCaul ka qenë disa herë në rajon dhe thotë se Ukraina duhet ndihmuar me të gjitha mënyrat e mundshme.

“Ne duhet t’u japim atyre gjithçka mundemi, gjithçka që u nevojitet për të luftuar këtë luftë. Tani është moment kritik sepse rusët po fitojnë terren dhe ne duhet t’u japim atyre artileri me rreze më të gjatë veprimi që jo vetëm të kenë të njëjtën aftësi, por t’ua kalojnë rusëve”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ai shton se megjithëse janë dërguar armë në Ukrainë, ai është dakord me presidentin Zelenskiy se duhet bërë më shumë. Ligjvënësi McCaul thotë se me ndryshimin e objektivit të luftës pasi nuk mori nën kontroll Kievin, Moska synon bllokimin e daljes në Det të Zi për Ukrainën.

“Prandaj ne duhet të sigurohemi që ata të mos e marrin Odesën, një nga portet kryesore. Unë sapo u ktheva nga Moldavia dhe moldavët janë shumë të shqetësuar se nëse rusët marrin Odesën, ata mund të hyjnë në Moldavi, që nuk është vend i NATO-s”, tha ai.

Zoti McCaul thotë se do që ukrainasit të fitojnë sa më shpejt, ose të paktën të jenë në gjendje t’i largojnë forcat ruse, pasi përndryshe, do të ketë një konflikt të gjatë.

“Unë mendoj se duhet të jetë politika e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që të sigurohen që Ukraina të mund të ruajë sovranitetin e saj dhe t’i zmbrapsë rusët drejt kufijve”.

Duke u përgjigjur për qëndrimet e aleatëve ndaj negociatave, përfshirë Francën që është shprehur të mos “poshtërohet” Valdimir Putini, ligjvënësi republikan me peshë thotë se për shkak të krimeve të luftës, është bërë e vështirë të bëhen negociata.

“Është e vështirë ta kthesh kohën prapa. A mund të uleshe në një tryezë me Hitlerin dhe të negocioje duke i dhënë Çekosllovakinë dhe Poloninë në këmbim të paqes? Mendoj se Putini e ka tejkaluar aq shumë me krimet e tij të luftës, sa që e bën shumë të vështirë negociimin. Por në fund të fundit varet nga populli ukrainas dhe presidenti Zelenskiy se çfarë dhe nëse duan të negociojnë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti McCaul shton se po ashtu i takon Ukrainës që të vendosë nëse do të pranojë të ketë një pozicion neutraliteti në këmbim të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Lidhur me perspektivën e anëtarësimit në NATO, ai thotë se është gjithmonë për zgjerimin e aleancës.

“Unë mendoj se Ukraina e ka merituar anëtarësimin në NATO dhe unë do të isha në favor të këtij anëtarësimi. E di se në të kaluarën ka pasur rezerva se kjo do të na fuste në luftë. Dhe ka qenë shqetësimi i problemeve me korrupsionin dhe faktin që presidentët e mëparshëm mund të kenë qenë nën ndikimin e Rusisë. Unë nuk mendoj se e kemi atë shqetësim me Zelenskiyn”, thotë ai.

Zoti McCaul shpreh shqetësimin për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes disinformimit dhe se për fat të keq Kina është bashkuar në këtë fushatë.

“Ai po gënjen njerëzit në Ballkan po gënjen njerëzit në Ukrainë po gënjen vetë trupat e tij, se cili është misioni i tyre pse janë në Ukrainë në radhë të parë? E gjitha bazohet në një gënjeshtër dhe mendoj se njerëzit në ato vende duhet ta dinë këtë”, thotë ai.

“Nuk është në interesin më të mirë të Ballkanit të jetë nën gishtin e Putinit, një diktatori, dikush që është plotësisht kundër lirisë dhe demokracisë për popullin e tij”, thotë zoti McCaul.

Hetim i Kongresit në SHBA: Donald Trump akuzohet për “grusht shteti”

Një hetim i Kongresit në SHBA teksa ka analizuar faktet mbi bastisjen që ju bë godinës së Capitol , pak para inaugurimit të Joe Biden si President, ka akuzuar ish-kreun e Shtetit, Donald Trump si përgjegjës për orkestrimin e këtyre trazirave.

Kujtojmë se mbështetësit e Trump sulmuan Kongresin më 6 janar 2021 ndërsa ligjvënësit u takuan për të vërtetuar fitoren zgjedhore të Joe Biden.

 

Përplasja e dhunshme e vitit të kaluar në Capitol konsiderohet tashmë si një “grusht shteti në tentativë” dhe Liz Cheney, nënkryetarja republikane e komitetit tha se Trump kishte “ndezur flakën e këtij sulmi”.

“Ata që pushtuan Kapitolin tonë dhe luftuan me zbatimin e ligjit për orë të tëra u motivuan nga ajo që Presidenti Trump u kishte thënë: se zgjedhjet u vodhën dhe se ai ishte i drejti, president. Presidenti Trump thirri turmën, mblodhi turmën dhe ndezi flakën e këtij sulmi”, deklaroi Cheney.

Ndërkohë demokrati Bennie Thompson tha se trazirat rrezikuan demokracinë amerikane. Thompson, kryetari i komitetit dhe një ligjvënës i Misisipit, tha në seancën dëgjimore: “6 janari ishte kulmi i një tentative për grusht shteti, një përpjekje e pacipë, siç e tha një shkrimtar pak pas 6 janarit, për të përmbysur qeverinë. Dhuna nuk ishte rastësi. Ishte qëndrimi i fundit i Trump”.

Jan6 Seige Gty Ps 210706 1625581072049 Hpmain 16x9 992

Pas pothuajse një viti hetimi, komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, i udhëhequr nga Demokratët, u hap të enjten në mbrëmje duke shfaqur pjesë nga intervistat e kryera me anëtarë të rrethit të brendshëm të Trump.

Pamjet u transmetuan nga dëshmia e ish-Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Bill Barr, duke thënë se pretendimet e Trump se zgjedhjet ishin vjedhur ishin të pabaza.

 

“Ne nuk mund të jetojmë në një botë ku administrata aktuale qëndron në pushtet bazuar në pikëpamjen e saj, të pambështetur nga prova specifike, se ka pasur mashtrime në zgjedhje”, tha ish-prokurori i përgjithshëm.

 

Seanca dëgjimore paraqiti gjithashtu një regjistrim të dëshmisë nga Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit, duke thënë se ajo “pranoi” refuzimin e Barr mbi teorinë e konspiracionit të babait të saj.

 

Përpara se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve të hapej të enjten në mbrëmje, e para nga gjashtë seancat dëgjimore që priten këtë muaj, Trump u kujdes që të hidhte poshtë akuzat duke i konsideruar “sulm politik”.

Ish-presidenti ka lënë të kuptohet publikisht për një tjetër kandidim në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, ndërkohë që vazhdon të tregojë pretendime të pabazuara se zgjedhjet e fundit ishin manipuluar nga mashtrimi masiv i votuesve. bw

Studentët sfidojnë Sekretarin Blinken për mbështetjen e lirisë së shtypit

VOA/Cindy Saine

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bisedoi me disa studentë gazetarë mbi gjendjen e lirisë së shtypit në botë ndërsa mori pjesë në Samitin e Amerikave në Los Anxhelos. Studentët ngritën pyetje të tilla si përse Shtetet e Bashkuara angazhohen me vende, që supozohet se kanë vrarë gazetarë, si Arabia Saudite, ndërsa dënojnë vende të tjera – si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela – për kërcënimin e lirisë së shtypit. Korrespondentja e lartë diplomatike e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, raporton.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po takohet me një numër homologësh të tij në Los Anxhelos në Samitin e Amerikave. Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar nga samiti Kubën, Nikaraguan dhe Venezuelën. Sekretari Blinken vuri në dukje se 17 punonjës të medias janë vrarë këtë vit në hemisferën perëndimore. Njëmbëdhjetë prej tyre u vranë në Meksikë.

“Asnjë rajon në botë nuk është më i rrezikshëm për gazetarët. Krime të tilla vazhdojnë të ndodhin sepse njerëzit që i urdhërojnë dhe i kryejnë ato, rrallë mbahen përgjegjës duke dërguar mesazhin se këto sulme mund të vazhdojnë pa u ndëshkuar”.

Në një forum me studentë të gazetarisë, sekretari Blinken u pyet përse aleati i ngushtë i Amerikës, Izraeli, nuk është përballur me pasoja për vrasjen e gazetares palestinezo-amerikane Shireen Abu Akleh.

“Më vjen shumë keq për humbjen e Shireen-it. Ajo ishte një gazetare e jashtëzakonshme, një qytetare amerikane siç e dini. Edhe në këtë rast ne jemi të vendosur të ndjekim faktet dhe të arrijmë tek e vërteta e asaj që ndodhi. Jo, më vjen keq, me respekt ju them, se faktet e vrasjes ende nuk janë vërtetuar”, tha sekretari Blinken.

Një raport i CNN-it mbi vrasjen, citon dëshmitarë të cilët thanë se gazetarja Abu Akleh u qëllua për vdekje, në atë që dukej të ishte një sulm i ndërmarrë qëllimisht nga forcat izraelite. Izraeli i mohon me forcë akuzat dhe thotë se po heton vrasjen, e cila ka ndezur zemërim dhe protesta.

Presidenti Joe Biden po shqyrton planet për të vizituar Arabinë Saudite, pavarësisht kritikave të ashpra në të kaluarën ndaj Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, duke thënë se do ta izolonte atë për shkak të vrasjes së gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashoggi. Ekspertët thonë se ky është një tjetër rast për të gjykuar presidentin se sa i përkushtuar është ndaj lirisë së shtypit.

“Dëshira për të ulur çmimet e naftës po sjell me të vërtetë një tension interesant, midis asaj që administrata kishte thënë se do të ishte një politikë e jashtme, e bazuar në të drejtat e njeriut dhe një politikë, që i shërben klasës së mesme, ndërsa klasa e mesme në Amerikë me të vërtetë i urren çmimet e larta të karburantit”, thotë Rachel Oswald me Institutin e Gazetarisë “National Press Club”.

Ekspertët thonë se rritja e çmimeve të benzinës ka të ngjarë të jetë një nga faktorët pas ndryshimit të qëndrimit të presidentit Biden për t’u takuar me princin saudit të kurorës.

Daniel Serwer: Ballkani i Hapur është iniciativë e vdekur, nuk i duhet rajonit

E vetmja rrethanë kur Kosova duhet ta marrë në konsideratë propozimin për anëtarësim në ‘Ballkanin e Hapur’, është nëse i ofrohet statusi i barabartë me shtetet e tjera që marrin pjesë.

Kështu ka deklaruar profesori i Universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.

Ai ka thënë se, një gjë e tillë nuk i është ofruar Kosovës, dhe se sipas tij, Kosova nuk duhet as ta marrë parasysh propozimin e jo më të anëtarësohet.

“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, me sa kuptoj unë, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, ka deklaruar Serwer.

Serwer thotë se iniciativa e ‘Ballkanit të Hapur’ nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij, të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.

“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkans sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, ka thënë shkurt ai.

Profesori amerikan ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë, sipas Serwer, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak të reputacionit negativ të shtetit rus në Ballkan. Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, u shpreh Serwer për PortaliD.

I pyetur se a është edhe në interesin e SHBA-së iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serwer u shpreh se personalisht mendon se jo, por se të njëjtin mendim nuk e ndan edhe qeveria amerikane. “Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, ka thënë shkurt ai.

Në fund, Serwer thotë se nuk është i sigurt nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.

“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkans është një letër e vdekur”, ka deklaruar Serwer.

Qindra të akuzuar për trazirat e 6 janarit në Kongres

RFE/RL

AP

Më shumë se 800 njerëz në të gjitha Shtetet e Bashkuara janë akuzuar për trazirat e 6 janarit, 2021, në Kongresin amerikan, që kanë lënë së paku katër të vdekur dhe disa të plagosur dhe kanë detyruar ligjvënësit të fshihen për orë të tëra.

Akuzat kundër mbështetësve të zemëruar të ish-presidentit Donald Trump variojnë nga kundërvajtjet e nivelit të ulët për ata që vetëm kanë hyrë në Kongres, deri tek akuzat për konspiracion për kryengritje për ekstremistët e djathtë.

Kjo është ndjekja më e madhe penale në historinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë, udhëheqësi i të cilit, prokurori i përgjithshëm, Merrick Garland, është zotuar se do t’i mbajë përgjegjës “të gjithë autorët e 6 janarit, në çdo nivel”.

Në kohën kur Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, që heton sulmet e 6 janarit, po përgatitet të mbajë një seri seancash dëgjimore, agjencia e lajmeve AP ka bërë një përmbledhje të asaj që ka ndodhur deri më tash:

Kush është akuzuar?

Autoritetet kanë arrestuar njerëz praktikisht në të 50 shtetet, në lidhje me trazirat. Ata përfshijnë ish-oficerë të policisë dhe veteranë të ushtrisë amerikane, një fitues të medaljeve olimpike dhe djalin e një gjyqtari të qytetit të Nju Jorkut.

Qindra njerëz që kanë hyrë brenda Kongresit, por nuk kanë marrë pjesë në shkatërrime apo dhunë, përballen vetëm me akuza për kundërvajtje, si: hyrje e paligjshme në Kongres, protestë dhe sjellje e çrregullt – vepra këto që mund të dënohen me burgim deri në një vit.

Më shumë se 250 persona janë akuzuar për sulm ose pengim të autoriteteve në zbatimin e ligjit. Prej tyre, më shumë se 85 akuzohen për përdorimin e armëve vdekjeprurëse ose të rrezikshme, ose për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore të një oficeri.

Të tjerë janë akuzuar për sulme ndaj pjesëtarëve të mediave ose për shkatërrimin e pajisjeve mediatike.

Akuzat më të rënda janë ngritur kundër anëtarëve të dy grupeve të djathta ekstremiste: “Oath Keepers” (Mbrojtësit e betimit) dhe “Proud Boys” (Djemtë krenarë).

Udhëheqësit e të dyja grupeve janë arrestuar dhe mbeten në burg, në pritje të gjykimit për komplot për kryengritje, përkatësisht komplot për të kundërshtuar me forcë transferimin e ligjshëm të pushtetit presidencial. Akuza e tillë mund të sjellë deri në njëzet vjet burgim.

Kush është dënuar?

Më shumë se 300 njerëz janë deklaruar fajtorë për një sërë krimesh, përfshirë konspiracionin dhe sulmet. Në mesin e tyre janë tre anëtarë të grupit “Oath Keepers”, të cilët kanë pranuar se kanë bërë konspiracion për rebelim. Ata janë duke bashkëpunuar me hetuesit dhe mund të dëshmojnë kundër kolegëve të tyre ekstremistë në gjyq.

Deri më tash janë zhvilluar shtatë gjykime në Gjykatën Federale të Qarkut të Kolumbisë. Në pesë të parat, të pandehurit janë dënuar për të gjitha akuzat.

Të dënuarit përfshijnë Thomas Websterin, veteran i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut, i cili ka sulmuar një oficer gjatë trazirave. Webster ka pretenduar se ka qenë duke u mbrojtur derisa ka goditur oficerin dhe ia ka rrëmbyer maskën e gazit.

Gjykatësit, gjithashtu, kanë hedhur poshtë pretendimet e një burri nga Ohajo, i cili ka thënë se “ka ndjekur urdhrat presidenciale” nga ish-presidenti Donald Trump, kur ka sulmuar Kongresin. Dustin Byron Thompson është dënuar për pengimin e punës së Kongresit në certifikimin e votave elektorale, si dhe për akuza të tjera.

Gjykatësi i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Trevor McFadden, i cili është emëruar nga Trump, ka dënuar komisionarin e qarkut Otero në Nju Meksiko, Couy Griffin, për hyrje të paligjshme në ambientet e Kongresit, por e ka liruar nga akuza për sjellje të çrregullt.

Po ndëshkimet?

Rreth 200 persona janë ndëshkuar deri tani. Ndëshkimet variojnë nga dënimi me kusht deri në më shumë se pesë vjet prapa hekurave.

Rreth 100 persona, të akuzuar për krime të nivelit më të ulët, i janë shmangur burgut, megjithëse disa prej tyre kanë kaluar nëpër arrest shtëpiak.

Ndëshkimi më i gjatë – më shumë se pesë vjet burgim – i është shqiptuar Robert Palmerit, nga Largo i Floridës, i cili ka gjuajtur një dërrasë dhe ka përdorur pompat për zjarrfikje kundër oficerëve.

Të tjerët që kanë marrë dënime të gjata, përfshijnë Jacob Chansleyn. Ai është dënuar me gati tre vjet e gjysmë burgim, pasi ka pranuar se ka hyrë në Dhomën e Senatit dhe se i ka lënë një shënim nënpresidentit të atëhershëm amerikan, Mike Pence, duke i thënë: “Është vetëm çështje kohe, drejtësia po vjen”.

Çka tash?

Dy gjyqet e profilit më të lartë – që përfshijnë anëtarë të “Oath Keepers” dhe “Proud Boys” – pritet të zhvillohen këtë verë dhe vjeshtë.

Henry “Enrique” Tarrio, i cili dikur ka qenë shefi kryesor i “Proud Boys”, dhe katër të tjerë të lidhur me grupin janë akuzuar të hënën për konspiracion për rebelim. Më herët, kundër tyre janë ngritur edhe akuza të tjera për konspiracion. Ata pritet të dalin para gjyqit nga 9 gushti.

Tarrio, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si kryetar grupi, është arrestuar në një rast tjetër, dy ditë para trazirave, dhe nuk ka qenë në Kongres më 6 janar. Por, ai akuzohet se ka ndihmuar organizimin e sulmit të dhunshëm.

Gjyqi për udhëheqësin e “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, dhe katër anëtarë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të grupit është planifikuar të fillojë më 26 shtator. Prokurorët thonë se “Oath Keepers” kanë bërë komplot për javë të tëra, në përpjekje për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, dhe se janë përgatitur për një rrethim duke blerë armë.

Autoritetet janë ende në kërkim të shumë të dyshuarve tjerë, përfshirë personin që ka vendosur dy bomba me tym jashtë zyrave të komiteteve kombëtare të Partisë Republikane dhe asaj Demokrate, një natë përpara trazirave.

Përgatiti: Valona Tela

Elon Musk do të pushojë nga puna 10 000 punonjës

VOAL- Elon Musk ka një “ndjesi shumë të keqe” për ekonominë, kështu që ai planifikon një reduktim 10% të punonjësve të Tesla (rreth 10,000 njerëz) dhe fillon një grindje në distancë me presidentin e irrituar të SHBA Joe Biden.

Në një email drejtuar punonjësve për të shpallur ngrirjen e punësimeve dhe një ulje prej 10% të punonjësve me pagë, Musk shpjegon se ky është një vendim i lidhur me një “ndjesi shumë të keqe” për ekonominë, e vënë në lëvizje nga shumë analistë dhe vëzhgues drejt recesionit.

Fjalë që Biden nuk mund t’i tresë. “Ford investon. Stellantis investon. Shumë fat në udhëtimin e tij në Hënë”, përgjigjet presidenti, dukshëm i mërzitur.

Ky është emaili i dytë që Musk u dërgon bashkëpunëtorëve brenda një jave. Në të parën, ai kishte vendosur të ndalonte smart working. rsi-eb

Escobar: Ideja e një Evrope të lirë dhe në paqe, nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor

VOA/Milena Gjorgjievska

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se se ideja e një Evrope të lirë dhe në paqe nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës pas Dialogut Strategjik SHBA-Maqedonia e Veriut, zoti Escobar shprehu mbështetjen amerikane për fillimin e konferencave ndërqeveritare me BE-në për Shkupin dhe Tiranën. Ai tha se shpreson që të tejkalohet me kompromis bllokimi që ka paraqitur Bullgaria.

Zoti Escobar tha se Dialogu Strategjik mes Uashingtonit dhe Shkupit është një mënyrë për të thelluar marrëdhëniet në të gjitha fushat.

Si anëtarja më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka kontribuuar shumë, prandaj ne po përpiqemi të gjejmë mënyra që të punojmë së bashku për të ndihmuar në zgjidhjen e disa nga çështjeve të Ballkanit, disa prej çështjeve dypalëshe dhe disa nga çështjet globale”, tha ai.

Zoti Escobar tha se ky vend i ka bërë të gjitha reformat e nevojshme për të filluar konferencat ndërqeveritare me Bashkimin Evropian dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht procesin e anëtarësimit.

Pra, nuk është çështja vetëm se Maqedonia e Veriut duhet të jetë në Bashkimin Evropian. Ne kemi nevojë për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian, kemi nevojë për të gjithë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ideja që ne filluam në vitin 1989 për të krijuar një Evropë plotësisht të lirë dhe në paqe nuk është ende e plotë dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të”, tha ai.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit shprehu shpresën që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, të cilët tha ai janë aleatë të mirë dhe anëtarë me vlera të NATO-s, të gjejnë një zgjidhje përmes kompromisit, dialogut dhe negociatave të vullnetit të mirë.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e përshpejtimit të integrimit të Ukrainës në BE, zoti Escobar tha se si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ai është i përqendruar në këtë rajon.

Mendoj se janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që kanë radhën për të filluar procesin e Konferencave Ndërqeveritare. Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me BE-në kur bëhet fjalë për Ukrainën, por fatkeqësisht kjo nuk është fusha ime”, tha ai.

Zoti Escobar tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të madhe nga ana ekonomike dhe tregëtare.

Ballkani Perëndimor është pjesa e Evropës me rritjen më të shpejtë. Ka potencialin të jetë një udhëheqës rajonal për Energjinë e ripërtëritshme, për Gazin Natyror të Lëngshëm, për transportin, për teknologjinë dhe pothuajse për çdo gjë tjetër në rajon”, tha ai.

Për këtë arsye, ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo nismë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.

Biden kërkon ashpërsim të ligjeve për armët

Duke thënë “Mjaft, mjaft”, presidenti amerikan, Joe Biden, i bëri thirrje Kongresit që të ndalojë armët sulmuese, të zgjerojë kontrollet e të kaluarës dhe të zbatojë masa të tjera kontrolli për të adresuar një sërë të shtënash masive që kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë më 2 qershor, Biden pyeti popullin amerikan se edhe sa jetë duhet të humben para se të ndryshohen ligjet e armëve në Amerikë.

“Për hir të Zotit, edhe sa masakra të tjera duhet të ndodhin?”, pyeti Biden.

SHBA-ja javëve të fundit është përballur me tri sulme vdekjeprurëse në një shkollë fillore në Teksas, në një dyqan ushqimor në Nju Jork dhe në një qendër shëndetësore në Oklahoma.

Biden e përshkroi vizitën në Uvalde të Teksasit ku ndodhi një prej të shtënave.

“Nuk mund të mos e mendoja se ka shumë shkolla të tjera, shumë vende të tjera që janë bërë fusha vrasjesh, fushëbeteja, këtu në Amerikë”, tha ai.

Presidenti demokrat bëri thirrje për një sërë masash që janë kundërshtuar nga republikanët në Kongres, përfshirë edhe ndalimin e shitjes së armëve sulmuese dhe karikatorëve me kapacitet të lartë, ose, nëse do të ishte e mundur, të rritej mosha minimale për të blerë armë nga 18 në 21 vjeç.

Ai po ashtu kërkoi që prodhuesit e armëve të mos mund të mbrohen nga paditë nëse qytetarët kryejnë akte të dhunshme me armët e këtyre prodhuesve.

“Ne nuk mund të zhgënjejmë sërish popullin amerikan”, tha Biden, duke kërkuar nga republikanët, veçmas në Senatin amerikan, që të lejojnë të dalin në votim projektligjet për kontrollin e armëve.

Presidenti amerikan tha se nëse Kongresi nuk vepron, populli amerikan do ta shndërrojë çështjen e armëve në temë qendrore në zgjedhjet afatmesme të nëntorit.

Shoqata Kombëtare e Pushkëve, lobi më i fuqishëm i armëve në SHBA, tha përmes një deklarate se propozimet e Bidenit do të cenonin të drejtat e pronarëve të armëve të cilët u binden ligjeve.

“Kjo nuk është zgjidhje reale, ky nuk është lidership i vërtetë dhe nuk është ajo që i duhet Amerikës”, tha kjo shoqatë.

SHBA-ja ka nivel të lartë të vdekjeve nga armët e zjarrit se çdo shtet tjerë. Së fundmi, nga të shtënat masive dhjetë afrikano-amerikanë u vranë në një dyqan ushqimor në Bufallo të Nju Jorkut, 19 fëmijë dhe dy mësuese u vranë në Teksas, si dhe dy doktor, një recepsionist dhe një pacient u vranë në Oklahoma.

Ligjvënësit po shikojnë masat për të zgjeruar kontrollet e të kaluarës dhe për të miratuar ligje që do t’iu lejonin zyrtarëve të sigurisë të largonin armët nga personat që vuajnë nga sëmundje mendore. Por, çdo masë e re do të përballet me kundërshtinë e republikanëve, sidomos në Senat, dhe propozimi për të ndaluar armët sulmues nuk ka mbështetjen e duhur për t’u miratuar.

Amendamenti i dytë i Kushtetutës amerikane mbron të drejtën e qytetarëve për të mbajtur armë. Por, Biden tha se ky amendament nuk ishte “absolut”, teksa shtoi se masat e reja që ai mbështet nuk kanë për qëllim që qytetarëve t’iu merren armët.

Mbi 18,000 persona kanë vdekur nga dhuna me armë në SHBA gjatë këtij viti, përfshirë këtu vrasje dhe vetëvrasje, tha Arkivi për Dhunën me Armë.

Kanadaja, Australia dhe Britania kanë miratuar ligje më të ashpra pasi në këto shtete kanë ndodhur të shtëna masive, përfshirë edhe ndalimin e armëve sulmuese.

Presidenti Biden po kërkon që Kongresi të miratojë legjislacion për kontroll më të ashpër të armëve. Në Senat, fuqia politike midis demokratëve dhe republikanëve është 50 me 50 dhe që një ligj të kalohet duhet të ketë 60 vota./rel

Projekt-rezolutë në Kongresin amerikan për të nderuar aktivisten Vasfije Krasniqi-Goodman

VOA

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Colin Allred paraqiti të martën një projekt-rezolutë për të nderuar aktivisten e të drejtave të njeriut, Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në dokument u bëhet gjithashtu thirrje Shteteve të Bashkuara që të angazhohen për t’u siguruar që qeveria e Serbisë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Demokrati Allred është përfaqësues i shtetit të Teksasit dhe zonja Krasniqi-Goodman është banore e këtij shteti.

Zoti Allred e paraqiti projekt-rezolutën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. Pas shqyrtimit në Komision, dokumenti kalon në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Jam shumë i frymëzuar nga guximi i Vasifjes për të ndarë historinë e saj të dhimbshme së saj pikëlluese dhe për të hedhur dritë mbi realitetin e dhunës seksuale të kryer nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës së Kosovës,” tha zoti Allred.

“Njoftimet për dhunën seksuale që ndodhin në Ukrainë janë një kujtesë e qartë se nuk duhet t’i harrojmë tragjeditë e së kaluarës dhe të hedhim dritë mbi historitë e të mbijetuarve që të mund të punojmë për identifikimin e përgjegjësisë dhe të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më kurrë. Kjo është arsyeja pse kjo rezolutë është kaq e rëndësishme dhe pres me padurim të punoj që ajo të mbështetet dhe miratohet nga e gjithë Dhoma e Përfaqësuesve”, tha zoti Allred në një deklaratë.

Zonja Krasniqi-Goodman tha se paraqitja e projekt-rezolutës që dënon përdhunimin si armë lufte dhe thekson nevojën për drejtësi dhe vënie para përgjegjësisë, është një moment krenarie për të si edhe për “20,000 të mbijetuarit e krimeve të luftës seksuale në Kosovë dhe në mbarë botën”.

“Unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës (anëtarit të Kongresit Allred) dhe bashkë-sponsorizuesve të (projekt-rezolutës) që po ngrenë zërin në mbështetje të të mbijetuarve dhe kërkesës sonë për drejtësi. Çdo hap në luftën tonë u jep shpresë të tjerëve dhe i inkurajon ata të ngrihen dhe të vazhdojnë luftën”, tha ajo.

Zonja Krasniqi-Goodman vlerësoi angazhimin e lëvizjes “Rally for Her Justice” për çështjen e të mbijetuarve nga dhuna seksuale në luftë dhe rolin e saj në paraqitjen e projekt-rezolutës.

Në deklaratën e shtypit të zotit Allred thuhet se dhuna seksuale dhe me bazë gjinore vazhdon të jetë një pjesë e turpshme e luftës moderne “siç dëshmohet së fundi nga mizoritë e tmerrshme në Buça të Ukrainës”.

Po ashtu, thuhet në deklaratë, ndërsa SHBA dhe aleatët e tyre punojnë për të mbledhur prova dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të luftës në konfliktet e sotme, “është e rëndësishme të shqyrtohen mësimet nga e kaluara”.

Projekt-rezoluta u mbështet gjithashtu nga anëtarët demokratë të Kongresit, Adriano Espaillat dhe Ritchie Torres nga Nju Jorku, Juan Vargas nga Kalifornia dhe Marc Veasey nga Teksasi.

Ditë më parë, më 11 maj, zonja Kransiqi-Goodman e shoqëruar nga aktiviste të tjera kundër dhunës seksuale pati një takim në Kongres me ligjvënësin Colin Allred dhe dhjetë ligjvënës të tjerë. Ata patën rastin të dëgjojnë nga afër rrëfimin e saj se si ishte dhunuar nga forcat serbe kur ishte 16 vjeçare dhe betejën e saj për drejtësi, vite pas përfundimit të luftës së Kosovës gjatë viteve 98-99.

Ligjvënësit inkurajuan zonjën Krasniqi-Goodman që të vazhdojë angazhimin e saj për drejtësi, sepse siç u shprehën ata, kjo është mënyra e vetme për të fituar këtë betejë dhe për të ndihmuar viktimat e tjera të përballojnë tmerrin që kanë përjetuar në atë periudhë.

Memorial Day – Dita e Përkujtimit – Në nderim të të rënëve Përgatiti: Elida Buçpapaj

Dita e Përkujtimit (fillimisht e njohur si Dita e Dekorimit) është një festë federale në Shtetet e Bashkuara në kujtim të të rënëve gjatë shërbimit në forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara. Kjo ditë kremtohet të hënën e fundit të majit në varrezat kombëtare, duke vendosur lule dhe flamuj amerikanë mbi varret e të rënëve. Prej 1868 deri më 1970 ishte kremtuar çdo 30 maj.

Janë të shumë vizitorët që në Ditën e Përkujtimit çojnë lule në varrezat dhe përmendoret për të nderuar ata që dhanë jetën gjatë shërbimit në ushtrinë amerikane. Janë të shumtë ata që në këtë ditë vendosin flamujt amerikanë mbi varret e të rënëve të ushtrisë amerikane si dhe në varrezat kombëtare.

Dita e Përkujtimit konsiderohet gjithashtu fillimi jozyrtar i verës në Shtetet e Bashkuara.

Për herë të parë Dita e Përkujtimit u kremtua më 30 maj 1868. E njohur atëherë si Dita e Dekorimit, dita u shpall nga Komandanti i Përgjithshëm John A. Logan i Ushtrisë së Madhe të Republikës me qëllim nderimin e ushtarëve të Unionit që dhanë jetën në Luftën Civile.

Këtij përkujtimi kombëtar, i kishin prirë shumë nderime lokale, pas përfundimit të Luftës Civile dhe shpalljes nga Logan. Ka plot dëshmi se përpara se të vendosej zyrtarisht si Ditë Përkujtimi kjo ngjarje është përkujtuar nëpër shtete të ndryshme të SHBA.

Njohja zyrtare si festë u përhap, duke filluar me Nju Jorkun në 1873. Deri në vitin 1890, çdo shtet i Unionit e kishte miratuar. Luftërat Botërore e kthyen atë në një Ditë Përkujtimi për të gjithë të rënët e ushtrisë amerikane që humben jeten gjatë shërbimit.

Prej 1971, Kongresi e vendosi se “Dita e Përkujtimit” do të kremtohet në të hënën e fundit të majit.

Janë edhe dy ditë të tjera që kremtojnë për ata që kanë shërbyer ose janë duke shërbyer në ushtrinë amerikane: Dita e Forcave të Armatosura (e cila është më herët në maj), një festë jozyrtare e

SHBA për nderimin e atyre që aktualisht janë në shërbim në forcat e armatosura dhe Dita e Veteranëve (më 11 nëntor), në nder të atyre që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

Origjina

Origjina e Ditës së Përkujtimit, mendohet në bazë të dokumentave se ka të bëjë me ngjarje të dokumentuara, të ndodhura para ose pas Luftës Civile apo ka rrjedhur nga traditat e përgjithshme të vendosjeve të luleve tek varret e ushtarëve apo në vendngjarjet me jehonë historike.Varret e ushtarëve u nderuan në SHBA si para ashtu edhe gjatë Luftës Civile Amerikane.

Charleston, Karolina e Jugut

Nga dokumentat historike pas përfundimit të Luftës Civile, përpara shpalljes nga Logan, të rënët e Luftës Civile u kujtuan në Charleston, Karolina e Jugut. Bëhej fjalë për 257 ushtarë të rënë të Unionit. Ata ushtarë vdiqën në kampin e burgut të Konfederatës që ndodhej atje. Pas rënies së qytetit, të burgosurit e liruar i zbuluan dhe i varrësën me nderime sikur duhej dhe më 1 maj 1865, 10 mijë afro-amerikanë, trashëgimtarët e skllevërve të dikurshëm, mbajtën një paradë në nder të kujtimit të 257 ushtarëve të rënë të Unionit. Të dhënat për këtë paradë janë zbuluar nga historiani David W. Blight, sipas dokumentacionit të arkivave. Blight citon artikuj nga Charleston Daily Courier dhe New-York Tribune.

Megjithatë nuk është vendosur asnjë lidhje e drejtpërdrejtë se si e qysh Komandanti i Përgjithshëm John A. Logan e caktoi Ditën e Përkujtimit në vitin 1868, edhe pse historiani David W. Blight ka pohuar se “afro-amerikanët shpikën Ditën e Përkujtimit në Charleston, Karolina e Jugut”, sepse vitin 2012, ai deklaroi se “nuk ka prova” që ngjarja në Charleston në mënyrë efektive çoi në thirrjen e gjeneralit Logan për festën kombëtare.

Gettysburg, Pensilvani

Sipas dokumentave dhe dëshmive në vitin 1863 në varrezat në Gettysburg, Pensilvani u mbajt një ceremoni përkujtimore në nderim të ushtarëve të rënë. Prandaj, disa kanë pohuar se ishte Presidenti Abraham Lincoln themeluesi i Ditës së Përkujtimit. Megjithatë, gazetari i Çikagos, Lloyd Lewis u përpoq të argumentonte se ishte funerali i Linkolnit që nxiti edhe nderimin e varrezave të ushtarëve të rënë.

Dita e Dekorimit Kombëtar

Më 5 maj 1868, gjenerali John A. Logan lëshoi një shpallje ku bënte thirrje që “Dita e Dekorimit” të festohej çdo vit dhe në mbarë vendin; ai ishte komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Madhe të Republikës . Me këtë shpallje, Logan miratoi Ditën e Përkujtimit që kishte filluar të kremtohej në shtetet jugore tre vjet më parë.

Në vitin 1868, nderimet për të rënët u mbajtën në 183 varreza në 27 shtete dhe në vitin 1869 u vendosëm lule dhe u blatuan nderime  në 336 varreza ku preheshin ushtarët e rënë. Por sipas një të dhëne nga Shtëpia e Bardhë e vitit 2010, kjo ditë u zgjodh edhe si data optimale kur lulëzojnë lulet edhe në veri.

Pas Luftës së Parë Botërore, kjo ditë kremtohet në nderim të të gjithë të rënëve nëpër luftrat pa dallim dhe emri i saj ndryshoi nga Dita e Dekorimit në Ditën e Përkujtimit. Që nga viti 1971, Dita e Përkujtimit festohet të hënën e fundit të majit. Një numër shtetesh jugore respektojnë gjithashtu një ditë të veçantë për të nderuar të rënët e Konfederatës. Dita e Përkujtimit shënohet me vendosjen e një kurore në Varrin e të Panjohurve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia dhe me shërbime fetare, parada dhe fjalime në mbarë vendin. Është tradicionale vendosja e flamurit të Shteteve të Bashkuara në gjysmështizë nga agimi deri në mesditë pastaj flamuri i SHBA ngrihet i plotë.

Gjenerali John A. Logan

 

 

 

Kurorë lulesh në varrin e ushtarit të panjohur

BREGUT TË GJERË TË LUMIT POTOMAK

Poezi nga WALT WHITMAN

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Bregut të gjerë të Lumit Potomac, përsëri gjuha e vjetër,
(Ende duke u shqiptuar, fjalë për fjalë, kurrë nuk mund të ndalet kjo bëlbëzimë?)
Përsëri zemrat e vjetra flatrohen, përsëri tek ju, shqisat tuaja, shkarkohen plotësisht duke kthyer pranverën,
Përsëri freskia dhe aromat, përsëri qielli veror i Virxhinias,
në blu të kthjellët në të argjendtë,
Përsëri paradreka violë e kodrinave,
Përsëri bari i pavdekshëm, kaq butësisht i pafjalë dhe i gjelbër,
Përsëri trëndafilet e kuq si gjaku duke lulëzuar.

 

Mbushmani me aroma librin tim o trëndafila kuq si gjaku!
Laje butësisht çdo varg me ujrat e tu o Lumi Potomac!
Më jep prej teje, o pranverë, përpara se ta mbyll, ta vendos midis faqesh!
O paradrekë e violtë e kodrinave, përpara se ta mbyll, me ju!
O bar i pavdekshëm, përpara se ta mbyll, me ty!

Blinken mesazh për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Nishani: Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri lënë pas një trashëgimi jetëgjatë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka dhënë një mesazh për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

Blinken shkruan se kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm lënë pas një trashëgimi jetëgjatë

 

“Ne ndajmë dhimbjen e popullit shqiptar për largimin nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani. Kontributet e tij në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe partneritetin tonë të qëndrueshëm lënë pas një trashëgimi jetëgjatë”, shprehet sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në mesazhin e shpërndarë nga ambasada e SHBA. BW

Arrestohet bashkëshorti i Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosit

Autoritetet amerikane kanë arrestuar bashkëshortin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelositi.

Mësohet se Paul Pelosi është arrestua gjatë orëve të vona të mbrëmjes të së shtunës pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Pas testit të alkoolit, rezultoi se ai kishte një nivel në gjak më të lartë se 0.08.

Lirimi me kusht i Pelosit u caktua në këmbim të 5,000 dollarë.

Mediat amerikane raportojnë se detajet rreth incidentit nuk janë tërësisht të zbardhura dhe nuk dihet ende nëse 82-vjeçari ka qenë duke vozitur i vetëm apo jo në momentin që u arrestua.

Policia ka refuzuar të komentojë për mediat ngjarjen.

Ish Kongresmeni Joe DioGuardi & Shirley Cloyes: Senatori Menendez dhe Kryeministri Kurti patën një bashkëbisedim shumë të mirë

Joe DioGuardi, President i LQSHA dhe Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit  lëshojnë një komunikatë për shtyp si më poshtë:

“Jemi të kënaqur që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua javën e kaluar me mikun tonë Senatorin Bob Menendez, Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve.

Sarah Arkin, e cila është përgjegjëse për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit, na ka njoftuar se Senatori Menendez dhe Kryeministri Kurti “patën një bashkëbisedim shumë të mirë në lidhje me marrëdhënjet SHBA-Kosovë, rëndësinë e aleancës transatlantike, dhe fuqizimin e integrimit dhe bashkëpunimit me BE-në.”

Vetë Senatori Menendez, në një tweet në Twitter shkruan: “Isha i nderuar të pres kryeministrin e Kosovës @albinkurti në Kapitol. Shpreha angazhimin tim të palëkundur për sigurinë dhe shqetësimet e Kosovës në lidhje me veprimet destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Angazhimi i SHBA me Kosovën dhe rajonin e më gjerë është më kruçial se kurrë.”

Virxhinia, kalimtarja e armatosur ndalon një tjetër masakër mbi turmën

Një grua e cila ishte pjesë e një feste, ka ndaluar një tjetër masakër të mundshme masive në SHBA, kur nxorri armën dhe qëlloi për vdekje një burrë që kishte hapur zjarr me një pushkë gjysmë automatike mbi një turmë.

Personit të armatosur, Dennis Butler, një 37-vjeç i ishte kërkuar të ulte shpejtësinë pak para se të kishte në shënjestër grupin prej 30-40 persona në Charleston, në Virxhina Perëndimore.

Zëdhënësi i policisë Tony Hazelett tha se reagimi i shpejtë i gruas shpëtoi jetë.

Ajo vjen në mes të një debati kombëtar mbi armët pas të shtënave në shkollë në Teksas.

I dyshuari u paralajmërua të ngadalësonte shpejtësinë para se ai të hapte zjarr jashtë një kompleksi ku po zhvillohej një festë diplomimi.

Hazelett tha në një konferencë shtypi se gruaja që hapi zjarr ndaj të dyshuarit, nuk kishte lidhje me policinë.

‘Ajo është thjesht një anëtare e komunitetit që mbante armën e saj në mënyrë të ligjshme. Dhe në vend që të ikte nga kërcënimi , ajo shpëtoi dhjetra jetë’ është shprehur Hazelett.

Ndaj saj nuk do të ngrihet asnjë akuzë, thotë policia.

37-vjeçari me një histori të gjerë kriminale, u gjet i vdekur në vendngjarje.

Kjo ngjarje vjen maskarës së Teksasit ku një 18 vjeçar vrau 21 persona në një shkollë fillore.

syri.net

“Kur do t’i kundërvihemi lobimit të armëve?”, pas masakrës në Teksas, Joe Biden i drejtohet popullit amerikan me një fjalim

Presidenti amerikan Joe Biden është deklaruar pas të shtënave në një shkollë fillore në jug të Teksasit, ku 18-vjeçari Salvador Ramos vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur – duke theksuar se shpreson që kurrë më nuk do t’i duhet t’i drejtohet kombit për ngjarje të tilla.

Duke komentuar ngjarjen në Teksas, Biden tha se në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur një masakër.

“Nxënës të mrekullueshëm, të klasës së parë, tretë dhe katërt. E sa fëmijë të vegjël tjerë ishin dëshmitarë të asaj se çfarë ka ndodhur, kanë parë shokët e shoqet duke vdekur. Sikur të ishin në fushëbetejë për hir të Perëndisë”, shtoi Biden.

 

Të shtënat masive ndodhën në momentin kur Joe Biden po kthehej nga udhëtimi zyrtar në Azi.
“Ajo çfarë më ka goditur gjatë fluturimit 17-orësh, është se të shtëna të tilla masive ndodhin rrallë kudo në botë. Pse? Ata gjithashtu kanë probleme mendore, njerëz të humbur, por të shtëna masive kurrë nuk ndodhin me një numër kaq të madh në SHBA. Pse?”, porositi Biden.

Në fund të fjalimit, ai theksoi se është lodhur nga ngjarje të tilla, dhe se shteti duhet të veprojë.
“Si komb duhet të pyesim. Kur do t’i kundërvihemi lobimit të armëve? Kur do të bëjmë atë çfarë dimë të bëjmë”, shtoi presidenti amerikan.

Gjithashtu bëri të ditur se kanë kaluar 3.448 ditë, që kur sulmuesi i armatosur në vitin 2012 kreu masakër në një shkollë të mesme duke vrarë 26 persona – përfshirë 20 nxënës të vitit të parë.

Prej atëherë janë raportuar mbi 900 incidente që kanë lidhje me të shtënat nëpër shkolla. Biden shfrytëzoi rastin që t’i bëjë thirrje Kongresit amerikan që të miratojë ligje tjera për armët.

“Nuk mund të parandalojmë çdo tragjedi, por e dimë se masat e kufizuara të armëve veprojnë dhe kanë ndikim pozitiv. Ideja që një 18-vjeçar mund të futet në dyqan dhe të blejë pushkë, është shumë e gabuar”, tha në fund i pari i shtetit më të fuqishëm në botë. bw

Rritet numri i viktimave nga të shtënat në Teksas

RFE/RL

Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy në moshë madhore kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit.

Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.

Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë.

Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin.

Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.

Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbbott, tha se sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si Salvador Ramos, e braktisi veturën e tij para se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr “në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme”.

Një prej personave të rritur që është vrarë ishte mësuese. Mediat amerikane e kanë identifikuar viktimën si Eva Mireles.

Pothuajse 500 nxënës vijojnë mësimin në shkollën ku ndodhën të shtënat dhe kryesisht janë hispanikë. Shkolla gjendet afër 135 kilometra në perëndim të qytetit San Antonio.

Në shkollën Robb vijojnë mësimin klasat e dyta, të treta dhe të karta dhe nxënësit janë nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeç.

Agjencia Associated Press raportoi se zyrtarët e patrullës kufitare amerikane gjendeshin afër kur filluan të shtënat dhe menjëherë shkuan në shkollë duke e vrarë sulmuesin, i cili gjendej pas një barrikade.

Uvalde, që gjendet rreth 126 kilometra larg kufirit me Meksikën, është shtëpi e një stacioni të patrullës kufitare.

Dy zyrtarë kufitarë raportohet se kanë shkëmbyer zjarr me sulmuesin. Një prej zyrtarëve është qëlluar në kokë, thanë autoritetet, duke shtuar se të dy aktualisht janë në gjendje stabile dhe po marrin trajtim në spital.

Spitali Uvalde Memorial më herët ka raportuar se 13 fëmijë ishin dërguar në spital përmes autoambulancave apo autobusëve. Ndërkaq, një spital tjetër në këtë zonë tha se një grua 66-vjeçare dhe një vajzë dhjetëvjeçare ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte “lodhur” nga përgjigjet ndaj të shtënave në masë, duke bërë thirrje për kontroll të armëve.

“Edhe sa shumë fëmijë të vegjël që panë atë që ndodhi, duhet të shohin shokët e tyre duke vdekur sikur të ishte fushëbetejë. Ata duhet të jetojnë me këtë gjë gjatë gjithë jetës së tyre”, tha Biden.

Ai urdhëroi që flamuri amerikan të ulej në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në ndërtesat e tjera federale në nderë të viktimave të Uvalde.

Të shtënat në shkolla janë rritur në SHBA dhe vitin e kaluar janë regjistruar 26 raste të tilla, tha EdWeek, një organizatë që merret me arsim.

Më 2012, të shtënat në Shkollën Fillore Sandy Hook në Konektikat ishin më vdekjeprurëset. Njëzetë nga 26 viktimat ishin midis moshës pesë dhe gjashtëvjeçare.

Austin: 20 shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

RFE/RL

Njëzetë shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 23 maj, pas takimit të dytë të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.

Në këtë takim virutal, në mesin e shteteve pjesëmarrëse ishte edhe Kosova. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë takim rikthesoi përkrahjen e Kosovës për Ukrainën dhe tha se “që nga 24 shkurti, ne e kemi të qartë se Rusia përbën rrezik permanent për shtetet fqinje të saj, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin në botë”.

Po ashtu Mehaj tha se në takim ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të strehuar refugjatë dhe gazetarë ukrainas “të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Danimarka është pajtuar që t’i ofrojë Ukrainës granatahedhës Harpoon dhe raketa për “t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë vijën e saj bregdetare”, tha Austin gjatë një konference për media pas kësaj mbledhjeje virtuale.

Republika Çeke po ashtu është pajtuar që të dërgojë “mbështetje thelbësore” për Ukrianën, përfshirë edhe “donacionin e fundit të helikopterëve sulmues, tankeve dhe sistemeve raketore”, shtoi Austin.

Në përgjithësi, 20 shtete “njoftuan për paketat e reja të mbështetjes së sigurisë”, tha Austin, përfshirë edhe “dhurimin e municionit të artilerisë që është aq i nevojshëm, sistemeve të mbrojtjes detare, tankeve dhe makinave të tjera të blinduara”.

“Të tjerët njoftuan për zotimet që të trajnojnë forcat e Ukrainës dhe ruajtjen e sistemeve të saj ushtarake”, shtoi sekretari Austin.

Në këtë takim, që u kryesua nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, morën pjesë 47 shtete.

Pjesëmarrësit u informuan nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, lidhur me situatën aktuale të luftës tremujore.

“Sot, së bashku me ministrin Reznikov dhe ekipin e tij, ne mësuam për kërkesat prioritare të Ukrainës dhe situatën në fushëbetejë”, tha Austin.

Që prej takimit të parë të grupit në bazën ushtarake amerikane në Gjermani, takim që u mbajt katër javë më parë, Austin tha se “momentumi i donacioneve dhe dërgesave është i jashtëzakonshëm”.

Ai tha se nevojat e Ukrainës nuk kanë ndryshuar shumë nga takimi i parë, duke thënë se kërkohen artileri, tanke mbështetëse, dronë dhe pajisje të tjera.

“Lufta në këtë fazë po formësohet nga artileria, dhe ne kemi parë shkëmbime të ashpra të artilerisë gjatë javëve të fundit”, tha Austin.

Ai shtoi se Grupi i Kontaktit do të takohet fizikisht më 15 qershor, gjatë takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel.

SHBA po diskuton futjen e forcave operacionale në Kiev për të mbrojtur ambasadën

Administrata Biden po diskuton dërgimin e mundshëm të forcave të operacioneve speciale (SOF) në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e Ambasadës së SHBA në Kiev, sipas disa zyrtarëve amerikanë. Ideja e përdorimit të SOF është në faza shumë paraprake dhe ende nuk i është paraqitur presidentit Joe Biden për një vendim, raporton CNN.

Ambasada u rihap javën e kaluar pasi ishte mbyllur për rreth tre muaj. Për momentin, ambasada dhe numri i kufizuar i personelit të saj mbrohen nga zyrtarë të sigurisë diplomatike të Departamentit të Shtetit. Diskutimi përqendrohet rreth asaj nëse nevojitet një rritje e sigurisë nëse rritet numri i personelit dhe nëse SOF është i pajisur më së miri për të përmbushur këto kërkesa.

Marinsat amerikanë zakonisht ruajnë ambasadat amerikane në mbarë botën, por në Kiev, për momentin, ekziston një marrëveshje e përgjithshme që personeli tipik i rojeve të ambasadës së Korpusit të Marinës mund të mos jetë i përshtatshëm për tablonë e pasigurt të sigurisë në Ukrainë pa forca shtesë, thonë zyrtarët.

SHBA nuk beson se Rusia do të sulmonte haptazi Ambasadën. Por shqetësimi është se mbrojtja ajrore ose raketat ruse mund të synojnë pa dashje kompleksin dhe situata mund të përshkallëzohet në mënyrë dramatike, thonë zyrtarët.

Gjithashtu, zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ka një mirëkuptim të plotë mbi baza zyrtare që SHBA përdor personelin ushtarak për të ruajtur ambasadat e saj në mbarë botën dhe çdo prani nuk duhet të shihet si shkallëzuese. Megjithatë, një futje e forcave amerikane në Ukrainë mund të ngrejë shqetësime se mund të çojë në një perceptim të përshkallëzimit të SHBA-së pasi Presidenti Biden ka qenë i bindur se trupat tokësore amerikane nuk do të luftojnë në Ukrainë.

Shqetësimi është nëse forcat e operacioneve speciale hyjnë në Ukrainë, atëherë SHBA duhet të jetë në gjendje të sigurojë një mjet të shpejtë për t’i nxjerrë ata dhe personelin e ambasadës nga Ukraina në një krizë. Aktualisht opsionet e vetme janë transporti me automjet ose hekurudhor deri në kufi./CNN/

syri.net

Biden: Putin synon të eliminojë Ukrainën

RFE/RL

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin se po tenton të “eliminojë” Ukrainën dhe ka thënë se lideri rus duhet të paguajë “çmim afatgjatë” për pushtimin e këtij shteti.

Duke folur nga Tokio më 23 maj, Biden ka thënë në një konferencë për media se bombardimet ruse në infrastrukturën civile, sikurse shkollat, teatrot, spitalet dhe muzetë, tregojnë synimin e qartë të Putinit për pushtimin e nisur më 24 shkurt.

“Besoj se ajo që dëshiron Putin është të eliminojë identitetin e Ukrainës”, ka thënë Biden.

“Ai nuk mund ta pushtojë atë, mirëpo mund të tentojë t’ia shkatërrojë identitetin”.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke kryer mizori në pushtimin e paprovokuar dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme të luftës.

Rusia e mohon shënjestrimin e civilëve dhe pretendon se të dhënat për mizori që prezanton Ukraina, janë të rreme.

Para nisjes së luftës, të cilën Putin e konsideron “operacion special ushtarak”, lideri rus ka thënë se Ukraina nuk ka qenë kurrë njëmend shtet, dhe ka thënë se Ukraina është pjesë e “historisë, kulturës dhe hapësirë shpirtërore” të Rusisë.

Biden ka thënë se Putin duhet “të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” për t’u siguruar që shtetet tjera nuk marrin hapa të ngjashëm.

Deklarata e tij besohet se ka qenë referencë e drejtpërdrejtë për tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit.

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Biden nënshkroi të shtunën legjislacionin për ndihmën shtesë prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërsa agresioni rus i afrohet muajit të katërt.

Legjislacioni, i cili u miratua nga Kongresi me mbështetjen dypartiake, thellon angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës në një kohë pasigurie për të ardhmen e luftës. Ukraina e ka mbrojtur me sukses Kievin dhe Rusia e ka përqendruar ofensivën e saj në lindje të vendit, por zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për mundësinë e një konflikti të zgjatur.

Ndihma e re synon të mbështesë Ukrainën deri në shtator dhe pason një masë urgjente të mëparshme që kishte siguruar 13.6 miliardë dollarë.

Paketa e re përmban 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, duke siguruar një rrjedhë të qëndrueshme armësh të avancuara për të frenuar përparimet e Rusisë. Ajo parashikon gjithashtu 8 miliardë dollarë në mbështetje të përgjithshme ekonomike, 5 miliardë dollarë për të trajtuar mungesat globale ushqimore që mund të rezultojnë nga rrënimi i bujqësisë ukrainase dhe më shumë se 1 miliard dollarë për të ndihmuar refugjatët.

Presidenti Biden e nënshkroi ligjin më rrethana të pazakonta. Duke qenë se ai po bën një udhëtim në Azi, një zyrtar amerikan e solli projekt-ligjin në Seul në mënyrë që presidenti ta nënshkruante, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo pasqyron ndjesinë e urgjencës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, por edhe nxjerr në pah sfidat ndërkombëtare me të cilat përballet zoti Biden.

Vizita në Azi është pjesë e një orientimi të politikës së jashtme për t’i bërë ballë Kinës, por presidentit të Shteteve të Bashkuara i duhet njëkohësisht të vazhdojë të sigurojë burimet në ndihmë të Ukrainës, në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Zyrtarët amerikanë – SHBA mund të mbajë 100,000 trupa në Evropë në të ardhmen, përballë kërcënimit rus

SHBA-ja pritet të mbajë 100,000 trupa të stacionuara në Evropë në një të ardhme, nëse Rusia përshkallëzon veprimet dhe kërcënon Suedinë dhe Finlandën ose anëtarët e NATO-s, thanë zyrtarë të shumtë amerikanë.

Numri mund të rritet përkohësisht nëse NATO kryen më shumë stërvitje ushtarake në rajon dhe SHBA mund të shtojë baza në Evropë nëse mjedisi i sigurisë ndryshon, shtuan zyrtarët.

Planet po shqyrtohen pas takimit të së enjtes të krerëve ushtarakë të NATO-s në Bruksel, thanë zyrtarët. Shefat ushtarakë po bëjnë rekomandime për një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të planifikuar për në qershor dhe krerët e NATO-s duke përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden do të takohen në Madrid në fund të atij muaji.

SHBA e rriti pozicionin e përgjithshëm të forcës së saj në Evropë nga rreth 60,000 trupa përpara pushtimit rus të Ukrainës, në rreth 100,000 tani, duke shtuar trupa dhe mjete ushtarake në vendet përgjatë krahut lindor të Evropës për të mbështetur NATO-n dhe për të penguar më tej Rusinë.

SHBA kontribuoi me mijëra trupa në Forcën e Reagimit të NATO-s, e cila u aktivizua për herë të parë në historinë e NATO-s në fillim të kësaj pranvere./CNN

Ligjvënësit amerikanë shtyjnë administratën të përcaktojë Rusinë, shtet që sponsorizon terrorizmin

VOA/Tatiana Vorozhko

Ligjvënësit amerikanë të të dy partive kryesore politike, po shtojnë presionin mbi administratën e Presidentit Bidenit për ta përcaktuar Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmit.

Një rezolutë, që i kërkon Sekretarit të Shtetit të bëjë këtë përcaktim, është paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në një kohë kur Kongresi është i predispozuar të ndëshkojë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës.

Propozuar nga republikani Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe demokrati Ted Lieu nga Kalifornia, rezoluta synon të shtojë Federatën Ruse në listën që përfshin Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë dhe Kubën.

“Terrori rus duhet të ndalet,” tha ligjvënësi Wilson në një deklaratë.

Demokrati Ted Lieu tha se përcaktimi i Rusisë si një shtet terrorist do të jetë një përpjekje e mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë për sulmin e saj në Ukrainë.

“Me këtë përcaktim, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ndalojnë eksportet me përdorim të dyfishtë në Rusi dhe të ndërmarrin veprime ekonomike kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Rusinë,” tha ai në një deklaratë.

Të dielën, udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, i bëri thirrje Presidentit Joe Biden të vepronte. Zoti McConnell gjatë fundjavës vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

“Unë mendoj se është një ide e mirë dhe do ta mbështes atë,” u tha ai gazetarëve, sipas gazetës The Hill.

Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas i kanë kërkuar me ngulm SHBA-ve ta ndërmarrin këtë hap.

“Ne besojmë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si një shtet sponsorizues i terrorizmit,” tha presidenti Zelenskyy gjatë takimit të tij me senatorin McConnell dhe anëtarë të tjerë të një delegacioni të Senatit.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, i quajti përpjekjet për përcaktimin e Rusisë si shtet që sponsorizon terrorizmin, si “masa idiote”, të cilave Rusia do t’i përgjigjej.

“Ne, siç e dini, nuk lëmë asgjë pa përgjigje dhe ata duhet ta kuptojnë këtë,” tha ajo sipas një raporti të medias ruse më 28 prill.

Disa ditë përpara udhëtimit të zotit McConnell në Ukrainë, sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki iu kërkua të përgjigjej rreth rezolutës së Kongresit në një konferencë për shtyp. Ajo nuk ofroi hollësi, por vuri në dukje se shumë nga masat e lidhura me përcaktimin, janë zbatuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Përveç rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë dypartiake është paraqitur edhe në Senatin amerikan.

“Putini është një terrorist dhe një nga forcat më përçarëse në planet është Rusia e Putinit,” tha senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke prezantuar rezolutën javën e kaluar.

“Rusia e Putinit e meriton këtë përcaktim,” tha senatori Richard Blumenthal, demokrat nga Kentaki i cili është bashkëautor i rezolutës.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u shfaq i hapur ndaj mundësisë, kur dëshmoi para Senatit në fund të muajit të kaluar.

“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time … se rusët po terrorizojnë popullin ukrainas,” tha sekretari Blinken, sipas gazetës The Wall Street Journal. “Avokatët po shohin në mënyrë që të sigurohemi të përmbushim kërkesat ligjore të atij përcaktimi.”

Disa anëtarë të Kongresit kërkuan konsultime me aleatët përpara se të bënin përkufizimin e Rusisë si një shtet që sponsorizon terrorizmin.

“Unë mendoj se sjellja e Rusisë sigurisht e justifikon këtë përkufizim, por shumë nga forca jonë për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës është një përgjigje e përbashkët me aleatët tanë evropianë,” tha senatori demokrat Chris Koons, duke folur me Zërin e Amerikës. “Kjo pothuajse do të ndalonte plotësisht çdo biznes, të çdo lloji me Rusinë.”

Sipas Departamentit të Shtetit, nga ky përcaktim, Rusia do të përballet me katër lloje sanksionesh: “kufizime për ndihmën e huaj të SHBA-së; ndalim të eksporteve dhe shitjeve të materialeve ushtarake; masa kontrolli mbi eksportet e artikujve me përdorim të dyfishtë; si dhe kufizime të ndryshme financiare dhe të tjera. ”

“Shtimi i Rusisë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, do të ishte “opsioni ekonomik bërthamor” dhe një goditje e saktë kundër egos së Putinit,” shkruan në një koment në gazetën “Los Angeles Times”, Jason M. Blazakis, profesor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Middlebury. Zoti Blazakis, drejtoi Zyrën e Financave dhe Emërtimeve kundër Terrorizmit të Departamentit të Shtetit në Byronë e Kundërterrorizmit nga viti 2008 deri në 2018.

Ai shpjegon se Departamenti i Shtetit mund të shtojë një vend në listë, pasi të japë “të paktën dy shembuj të terrorizmit të mbështetur nga ky shtet”.

“Ne nuk duhet të kërkojmë shumë larg, për të gjetur një shembull të qartë. Edhe sot, Rusia i ofron strehë një grupi të përcaktuar si terrorist nga SHBA, siç është Lëvizja Perandorake Ruse, e cila vepron pa u ndëshkuar në territorin rus. Është një grup, që ka trajnuar terroristë për të kryer një sulm në Suedi dhe ka shërbyer si një forcë përfaqësuese e Rusisë në Krime”, shkruan zoti Blazakis.

Të dyja rezolutat, të paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, renditin shembuj të shumtë të aktiviteteve të Rusisë, që mund të cilësohen si terrorizëm i sponsorizuar nga shteti, siç janë veprimet e saj në Ukrainë, Çeçeni, Siri dhe vende të tjera.

“Është e rëndësishme të përdoret çdo mjet në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe që komuniteti ndërkombëtar të mbajnë përgjegjës Putinin dhe Rusinë”, thotë Jonathan Katz, bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Ai shton se “Rusia dhe zoti Putin dhe veprimet që kanë ndërmarrë në Ukrainë dhe globalisht, përputhen me kriteret e vendosura dhe ata duhet të etiketohen si sponsorizues të terrorit”.

Lituania është vendi i parë, përveç Ukrainës, që e njeh Rusinë si sponsor të terrorizmit. Të martën, më 10 maj, parlamenti i vendit e përcaktoi Federatën Ruse si sponsorizues të terrorizmit dhe i njohu veprimet e saj në Ukrainë si gjenocid.

“Nëse më shumë shtete njohin veprimet e Rusisë si gjenocid dhe Rusinë si një shtet terrorist, mund të shfaqet më shumë vullnet politik për ta dëbuar Rusinë nga të gjitha formatet ndërkombëtare, politike, kulturore, sportive, etj. Vendet që ende dyshojnë duhet të miratojnë sanksione më të ashpra, të furnizojnë me më shumë armë Ukrainën, etj.”, tha Paulius Saudargas, nënkryetar i parlamentit të Republikës së Lituanisë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e quajti rezolutën e parlamentit lituanez një “hap ekstremist”.

Leonid Slutsky, kreu i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, tha se “rezoluta nuk ishte ligjërisht e detyrueshme dhe se ajo thjesht përsëriste ato, që ai i quajti, pikëpamjet rusofobike të Shteteve të Bashkuara”, sipas agjencisë Reuters.


Send this to a friend