VOAL

VOAL

Jens Stoltenberg takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Biden

VOA

Presidenti Joe Biden pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg.

Takimi vjen ndërsa gara për të gjetur pasardhësin e tij është nxehur.

Zoti Stoltenberg, ka udhëhequr aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tri herë. Por në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.

Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.

Javën e kaluar, Kryeministri britanik Rishi Sunak i përmendi Presidentit Biden, Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace, si kandidat të mundshëm. Presidenti amerikan u takua gjithashtu edhe me Kryeministren daneze Mette Frederiksen, një tjetër pretendente e mundshme.

Gjatë një konferencë shtypi me në krah zotin Sunak, zoti Biden e quajti zotin Wallace një person “shumë të kualifikuar”, por vuri në dukje se diskutimet për të gjetur një kandidat “konsensual’, për të zëvendësuar zotin Stoltenberg, po vazhdon. Opinioni i Presidentit Biden ka peshë të madhe pasi Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtjen, më shumë se çdo vend tjetër anëtar i aleancës.

Zonja Frederiksen u përpoq të anashkalonte çështjen e kandidimit të saj të mundshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s pas takimit me Presidentin Biden javën e kaluar. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse kishte diskutuar mbi këtë çështje me të, por u tha gazetarëve se nuk donte t’i jepte zë spekulimeve lidhur me NATO-n. Aleanca nuk ka pasur kurrë një sekretare të përgjithshme grua.

Danimarka ka mbetur pas me objektivin e shpallur të NATO-s, për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë, deri në vitin 2030. Por në fund të muajit të kaluar qeveria e këtij vendi, njoftoi se synonte, që gjatë dekadës së ardhshme, të investonte rreth 20.6 miliardë dollarë për mbrojtjen, për shkak të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë.

Zoti Biden dhe zoti Stoltenberg pritet gjithashtu të diskutojnë rreth agresionit rus në Ukrainë si dhe mbi përpjekjet për të bindur Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, të heqë dorë nga bllokimi që i ka bërë anëtarësimit të Suedisë në aleancë.

Miliarderi George Soros ia kalon djalit të tij më të vogël kontrollin e biznesit

VOA/ Marrë nga Associated Press

Miliarderi dhe filantropi George Soros ia dha kontrollin e kompanisë së tij me vlerë prej 25 miliardë dollarësh djalit të tij më të vogël, Alexander Soros, i cili i konfirmoi vendimin në një interviste ekskluzive me gazetën “The Wall Street Journal”, të botuar të dielën. Pronat e biznesit të zotit Soros përfshijnë Fondacionin e tij jofitimprurës për Shoqëri të Hapur, i cili e ushtron aktivitetin në më shumë se 120 vende anembanë botës. Sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Fondacionit për Shoqëri të Hapur, organizata jep rreth 1.5 miliardë dollarë në vit për grupet, që mbështesin të drejtat e njeriut dhe nxisin rritjen e demokracive në mbarë botën.

37-vjeçari Alexander Soros tha për gazetën “Wall Street Journal” se ai është “më politik” se babai i tij 92-vjeçar, i cili ka qenë në shënjestër të kritikave të krahut të djathtë për mbështetjen e tij të kauzave liberale, si pakësimi i paragjykimeve racore në sistemin e drejtësisë. Por ai vuri në dukje se ata kanë “pikëpamje të ngjashme” për shumë çështje.

Alexander Soros tha se ai po zgjeronte “qëllimet liberale” të babait të tij dhe po mbështeste çështje të ndryshme, duke përfshirë të drejtën e votimit, abortin dhe barazinë gjinore. Ai tha se synon të vazhdojë të përdorë pasurinë e familjes për të mbështetur politikanët amerikanë me prirje të majta.

Alexander Soros tha për gazetën “Wall Street Journal” se së fundmi është takuar me zyrtarë të administratës Biden, udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe krerë shtetesh, duke përfshirë presidentin e Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva dhe kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, për të nxitur çështjet që lidhen me themelet e familjes.

Në dhjetor, bordi i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur zgjodhi Alexander Sorosin në postin e kryetarit të tij, duke zëvendësuar babain e tij. Alexander Soros tani drejton edhe aktivitetin politik si president i organizatës politike “Soros”.

“Wall Street Journal” njoftoi se Alexander Soros është i vetmi anëtar i familjes në komisionin e investimeve që mbikëqyr Menaxhimin e Fondit Soros, i cili kontrollon paratë për fondacionin dhe familjen.

Gjatë intervistës për gazetën “Wall Street Journal”, Alexander Soros shprehu shqetësimin se ish-presidenti Donald Trump do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë dhe la të kuptohet se organizata “Soros” do të luante një rol kyç financiar në garën presidenciale të vitit 2024.

Sipas gazetës “Wall Street Journal”, Alexader Soros është më i madhi i dy djemve nga martesa e miliarderit George Soros me gruan e dytë, Susan Weber.

Në krye të organizatës nuk u emëruar djali i madh i George Sorosit, Jonathan Soros, një avokat 52 vjeçar me përvojë në sektorin financiar. Ai mendohej të ishte pasardhësi i qartë, por së fundmi mes tyre pati “një konflikt dhe George Soros ndryshoi mendim”, thuhet në artikullin e gazetës “Wall Street Journal”.

Escobar e bën të qartë: Albin Kurti është partneri ynë, edhe pse ndonjëherë është i vështirë

“Kryeministri Albin Kurti është partneri ynë, edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, ai vazhdon të mbetet një partner”, është shprehur emisari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Deklarata vjen pak ditë pas raportimeve në media se Albin Kurti mund të shpallej “non grata” nga SHBA për shkak të situatës në veri të Kosovës.

Në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, Escobar ka theksuar Kosova dhe vazhdon të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar.

Sipas tij, nëse SHBA-ja do të kishte ndonjë rol në vendimmarrje sa i përket integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian, atëherë i gjithë rajoni do të ishte brenda BE-së deri në vitin 2030.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të jashtëzakonshme që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian”, u shpreh Escobar.

Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.

“Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, ka shtuar ai.bw

SHBA: Republikanët, në mbështetje të ish-presidentit Trump pas publikimit të aktpadisë

VOA/Rob Garver

Aktpadia me akuza për dokumentat e klasifikuara do t’i paraqitet ish-presidentit Donald Trump në një gjykatë federale në Florida. Por një pjesë e mirë e mbështetjes për zotin Trump po bëhet 1500 km larg, në hollet e Kongresit, ku republikanët janë përgatitur prej muajsh për një kundërpërgjigje agresive kundër Departamentit të Drejtësisë.

Aktpadia federale kundër zotit e bërë publike të premten, përfshin 37 akuza, përfshirë pretendimet se ish-presidenti mbante qëllimisht dokumente të klasifikuara, ua tregonte vizitorëve, kundërshtoi në mënyrë të vetëdijshme kërkesat e Departamentit të Drejtësisë për t’i kthyer ato dhe bëri deklarata të rreme tek autoritetet federale për to.

Fushata e republikanëve për të diskredituar prokurorët federalë e anashkalon thelbin e akuzave, që u ngritën nga një juri e madhe në Florida.

Reagimet filluan pas orë pasi vetë ish-presidenti Donald Trump tha të enjten se prokurorët federalë kishin përgatitur aktpadi, republikanë me peshë në Uashington dhe gjetiu shfaqën solidaritet me të në mediat sociale duke denoncuar akuzat si abuzim me autoritetin nga ana e administratës së presidentit Joe Biden.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, aktualisht republikani më i fuqishëm në Uashington, denoncoi aktakuzën në një postim në Twitter të enjten vonë.

Zoti McCarthy e quajti “një padrejtësi të rëndë” paditjen e kandidatit kryesor për emërimin presidencial republikan dhe personin që ka më shumë gjasa të sfidojë zotin Biden në garën e tij për një mandat të dytë. Edhe disa nga republikanët në garë me ish-presidentin për emërimin republikan, u shprehën kundër aktakuzës.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, i hodhi poshtë akuzat si një instrument nga ana e qeverisë për goditje politike.

Republikanët premtojnë kundërpërgjigje

Zoti McCarthy të enjten shkroi në Twitter: “Sot është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e papranueshme që një president të padisë rivalin e tij kryesor. Joe Biden mbajti dokumente të klasifikuara për dekada të tëra.” Ai shtoi: “Unë dhe çdo amerikan që beson në sundimin e ligjit, qëndrojmë me Presidentin Trump kundër kësaj padrejtësie të rëndë. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve do të marrin masa ndaj këtij shpërdorimi politik të pacipë të pushtetit.”

Demokratët paralajmëruan menjëherë zotin McCarthy kundër përdorimit të Kongresit për të ndërhyrë në sistemin federal të drejtësisë.

Disa nga mbështetësit më të zjarrtë të zotit Trump në Kongres sulmuan gjithashtu vendimin për të ngritur akuza ndaj tij. Kongresmeni nga Florida, Matt Gaetz, shkroi në Twitter, “Kjo aktakuzë e rreme … kundër Presidentit Trump përbën ndërhyrjen më të rëndë në zgjedhje që kemi parë ndonjëherë nga ana e qeverisë federale!”

Anëtarja e Dhomës së Përfaqësuesve nga Xhorxha, Marjorie Taylor Greene sulmoi agjencitë e zbatimit të ligjit në Twitter për pjesëmarrjen në hetimin e ish-presidentit. “Është e turpshme. Vërtet patetike. Hipokrizia më e madhe në historinë moderne. Një dështim i plotë dhe total për popullin amerikan. Një njollë për kombin tonë që FBI dhe Departamenti i Drejtësisë janë kaq të korruptuara dhe as që e fshehin më.”

Ndikimi në fushatën presidenciale mes republikanëve

Disa nga republikanët që janë në garë përballë zotit Trump për emërimin republikan për zgjedhjet e vitit 2024 i kishin shtuar në mënyrë të matur kritikat ndaj ish-presidentit, të kujdesshëm që të mos bënin të pakënaqur bazës e rëndësishme të mbështetësve të tij brenda partisë.

Megjithatë, të enjten, shumë nga rivalët e zotit Trump dolën me shpejtësi në mbështetje të tij kundër qeverisë federale.

“Përdorimi politik agjencive federale të zbatimit të ligjit përbën një kërcënim vdekjeprurës për një shoqëri të lirë,” shkruante guvernatori DeSantis, aktualisht kundërshtari kryesor i zotit Trump.

“Kemi qenë dëshmitarë të një zbatimi në mënyrë të pabarabartë të ligjit në varësi të përkatësisë politike”, shprehej ai duke shtruar më pas pyetjen se pse këto organe ishin kaq të zellshme në ndjekjen e ish-presidentit Trump, por pasivë ndaj ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton ose djalit të presidentit Biden, Hunter Biden.

Zonja Clinton, ish-kandidate demokrate për presidente u hetua, por ndaj saj nuk u ngritën akuza për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar, ndërsa Hunter Biden është aktualisht nën hetim federal.

Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila shërbeu si ambasadore në OKB në administratën e ish-presidentit Trump tha të premten:

“Drejtësia nuk duhet të zbatohet kështu në vendin tonë. Populli amerikan është lodhur nga tejkalimi i kompetencave nga prokurorët, standardet e dyfishta dhe politika e hakmarrjes”.

Në një intervistë në Fox News, senatori Tim Scott, gjithashtu një kandidat për emërimin republikan për president, i quajti akuzat kundër zotit Trump një “padrejtësi” dhe tha: “Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit është përdorimi politik i Departamentit të Drejtësisë kundër një ish-presidenti”.

Disa zëra republikanë dalin kundër rrymës

Disa republikanë ishin më të prirur t’i merrnin në konsideratë akuzat.

“Le të shohim se cilat janë faktet kur të dalë aktakuza,” tha ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie në Twitter përpara se aktakuza të bëhej publike.

Pas daljes së aktpadisë, në një intervistë për televizionin CNN ai e quajti sjelljen e ish-presidentit Trump “të papërgjegjshme” dhe “të gabuar nga kushdo që mund ta bënte por veçanërisht të tmerrshme për dikë që ka qenë president dhe aspiron të bëhet president përsëri”.
Ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson lëshoi një deklaratë duke i bërë thirrje ish-presidentit të tërhiqej nga gara për emërimin republikan.

“Veprimet e Donald Trump-it – nga shpërfillja e tij e qëllimshme e Kushtetutës deri te mosrespektimi i sundimit të ligjit – nuk duhet të përkufizojnë vendin tonë apo Partinë Republikane”, tha zoti Hutchinson.

“Kjo është një ditë e trishtuar për vendin tonë”, tha ai duke shtuar se zoti Trump duhet t’i japë fund fushatës së tij.

Ish-nënpresidenti Mike Pence tha në një intervistë se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga vendimi për të akuzuar ish-presidentin, por shtoi menjëherë: “Më lejoni të jem shumë i qartë: askush nuk është mbi ligjin”.

Analistët: Aktpadia nxjerr në pah rolin aktiv të ish-presidentit Trump lidhur me dokumentat të klasifikuara

VOA/Marrë nga Reuters

Prokurorët amerikanë bënë publike aktpadinë prej 37 pikash kundër ish presidentit Donald Trump të premten duke e akuzuar ish-presidentin se kishte vënë në rrezik disa prej sekreteve më të ndjeshme të sigurisë të vendit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Analistët thonë se ajo tregon se zoti Trump, i cili ka thënë se është i pafajshëm, pati një rol aktiv në fshehjen e dokumenteve nga autoritetet që donin t’i merrnin ato.

Sipas aktakuzës, ish-presidenti Donald Trump ka kryer shkelje në mënyrën se si ka trajtuar dokumente të klasifikuara që përfshinin informacione në lidhje me programin e fshehtë bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme të vendit në rast të një sulmi.

“Ligjet tona që mbrojnë informacionin e sigurisë kombëtare janë kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe ato duhet të zbatohen”, tha në një konferencë shtypi prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili po e udhëheqë hetimin kundër ish presidentit.

Studiuesi ligjor Craig Green, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Temple në Pensilvani, tha se dokumentet e akuzës zbuluan se ish-presidenti pati një rol aktiv në fshehjen e dokumenteve nga autoritetet që po përpiqeshin t’i merrnin ato.

“Ka shumë detaje lidhur me kohën e zhvendosjes së kutive të veçanta nga njëri vend në tjetrin. Mendoj se befasia më e madhe për mua është shkalla në të cilën zoti Trump ishte i përfshirë personalisht në zhvendosjen e kutive të ndryshme në periudha të ndryshme”, thotë zoti Green.

Eksperti Green tha se kjo mund të ndihmojë prokurorët të bindin jurinë se zoti Trump provoi në mënyrë të paligjshme të fshehë ato dokumente të ndjeshme.

“Pyetjet nëse fshehja e dokumenteve ishte e qëllimshme bëhen shumë të rëndësishme. Sa më afër dhe më i interesuar të ketë qenë Trump për vendndodhjen dhe kutitë, aq më e vështirë është për të që të argumentojë se ishte thjesht një gabim. Duket shumë qartë se ai ishte personalisht i përfshirë, se kishte shumë rol për vendndodhjen e kutive. Pastaj ka shumë sugjerime se ai e dinte mjaft mirë se brenda kutive kishte dokumente dhe informacione të mbrojtjes kombëtare”, thotë eksperti ligjor, Craig Green.

Ish presidenti Trump diskutoi gjithashtu me avokatët e tij mundësinë për të gënjyer zyrtarët e qeverisë që kërkonin të gjenin dokumentet duke fshehur disa kuti brenda një tualeti dhe duke lëvizur kuti të tjera në pjesë të tjera të shtëpisë së tij Mar-a-Lago në Florida, për të parandaluar gjetjen e tyre, thuhet në aktpadi.

“A nuk do të ishte më mirë sikur t’u thoshim se nuk kemi asgjë këtu?”, i tha ish-presidenti Trump tha njërit prej avokatëve të tij, – prej 49 faqesh.

Bërja publike e paautorizuar e dokumenteve të klasifikuara përbën rrezik për sigurinë kombëtare, marrëdhëniet me jashtë dhe mbledhjen e informacioneve nga Shtetet e Bashkuara, thuhet në aktpadi.

Teorikisht, nëse dënohet, ish-presidenti Trump mund të vuajë dekada në burg, por analistët ligjorë thanë se një gjykatës federal ka liri të madhe veprimi dhe mund të vendosë një dënim shumë më të lehtë, veçanërisht nëse zoti Trump arrin një marrëveshje me prokurorët jashtë gjyqit, në këmbim të pranimit të fajësisë.

“Mbi 90% e të gjitha rasteve federale përfundojnë me marrëveshje duke e pranuar fajin. Janë zakonisht nga 2 deri në 3% e rasteve federale që shkojnë në gjyq. Zakonisht, një i pandehur federal do të marrë një dënim shumë më të ulët duke e pranuar fajësinë. Nga ana tjetër, nëse nuk pranon fajësinë dhe shkon në gjyq dhe gënjen, mund të marrësh një dënim më të lartë. Në shumë raste, sidomos në rastet e zyrtarëve ose njerëzve me pozitë, ata e kanë shumë më të vështirë ta pranojnë që kanë bërë diçka gabim dhe të pranojnë me vullnetin e tyre që të përballen me pasojat. Unë mendoj se ish-presidenti do ta ketë tejet të vështirë ta pranojë një gjë të tillë”, thotë ish prokurorja federale, Jennifer Beidel.

Zoti Trump ka thënë se është i pafajshëm dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë se do që të negociojë një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorët. Ai dhe aleatët e tij e kanë portretizuar rastin si hakmarrje politike nga presidenti demokrat Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden nuk kishte njohuri paraprake për aktpadinë dhe më pas ai nuk pranoi të komentonte kur gazetarët e pyetën për këtë.

Aktpadia kundër një ish-presidenti me akuza federale është e paprecedentë në historinë amerikane dhe vjen në një kohë kur zoti Trump është kandidati kryesor për të siguruar emërimin e partisë republikane.

Eksperti ligjor për çështjen e mbrojtjes së sigurisë kombëtare Mark Zaid tha se kundërshtimi i akuzave në një proces gjyqësor mund të jetë strategjia më e mirë për zotin Trump.

“Zoti Trump po e përdor këtë si një mënyrë për të mbledhur fonde dhe për të forcuar fushatën e tij politike. Nga pikëpamja politiko-strategjike dhe ligjore, kjo nuk është strategji e keqe: ta ngresh zërin sa më shumë për të rritur shanset për të fituar presidencën sepse marrja e presidencës do të thotë që këto akuza federale zhduken. Si President i Shteteve të Bashkuara, ai mund të udhëzojë Departamentin e Drejtësisë që të pezullojnë akuzat kundër tij. Nëse ai do të ishte dënuar deri në atë moment, ai të paktën mund të provonte të falte veten, që është një çështje kushtetuese plotësisht e hapur, sepse ne nuk jemi përballur kurrë me një gjë të tillë”, thotë Mark Zaid, ekspert ligjor për çështjet e sigurisë kombëtare.

Zoti Trump do të paraqitet për herë të parë në gjykatë në Miami të martën më 13 qershor, një ditë para ditëlindjes së tij të 77-të.

Prokurorët federalë akuzojnë ish-presidentin Trump se vuri në rrezik sekrete kombëtare

VOA/Marrë nga Reuters dhe AP

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përballet me 37 akuza penale, mes së cilave për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara dhe konspiracion për të penguar drejtësinë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, sipas dokumenteve të gjykatës federale të bëra publike të premten.

Departamenti i Drejtësisë i bëri publike dokumentet e aktpadisë, në një ditë kur dy nga avokatët e zotit Trump dhanë dorëheqjen. Edhe një ish ndihmës i zotit Trump përballet me akuza.

Akuzat janë të lidhura me dokumentat e ndjeshme qeveritare që zoti Trump mori me vete në Mar-a-Lago kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2021.

Sipas aktakuzës, mes dokumenteve ishin disa nga sekretet më të ndjeshme ushtarake amerikane, përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi.

Një nga dokumentet fliste për mbështetjen e terrorizmit nga një vend i huaj kundër interesave të SHBA-së.

Materialet vinin nga Pentagoni, CIA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjenci të tjera të zbulimit, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, zoti Trump i tregoi një personi tjetër një dokument të Departamentit të Mbrojtjes të cilësuar si një “plan sulmi” kundër një vendi tjetër.

Po ashtu në aktakuzë thuhet se zoti Trump kishte ndarë me persona të tjerë një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak.

Ish-presidenti Trump tha të enjten se është i pafajshëm.

Atij do t’i paraqiten zyrtarisht akuzat të martën e ardhshme kur të paraqitet në gjykatë.

PROKURORI I POSAÇËM JACK SMITH: LIGJI ËSHTË I BARABARTË PËR TË GJITHË

Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, i cili ngriti akuzat ndaj ish presidentit Donald Trump tha në deklaratën e tij të parë publike pas aktakuzës se “ligjet e vendit janë të barabarta për të gjithë”.

Zoti Smith zhvilloi të premten, një konferencë të shkurtër me gazetarët në Uashington, por nuk pranoi që t’i bëheshin pyetje.

“Respektimi i shtetit të së drejtës, sundimi i ligjit, është parim themelor i Departamentit të së Drejtësisë dhe angazhimi i kombit tonë për sundimin e ligjit është një shembull për të gjithë botën”, tha ai.

Ai tha se çdo individ i vënë nën akuzë, konsiderohet i pafajshëm deri në momentin që i provohet fajësia dhe se prokurorët do të kërkojnë një proces gjyqësor të shpejtë dhe se “mezi prisnin” që të paraqisnin rastin e tyre.

Zoti Trump pritet të dalë për herë të parë para gjykatës, për këtë çështje, në një gjykatë të Majemit, në Florida, të martën e ardhshme, një ditë para se të festojë 77-vjetorin.

Ja disa nga detjet e aktpadisë:

ISH-PRESIDENTI TRUMP MBAJTI DOKUMENTE TË KLASIFIKUARA NË TUALET DHE NË DUSHET E KLUBIT PRIVAT NË FLORIDA

Aktpadia ngre dyshimet se ish-presidenti Trump mbajti dokumentet e klasifikuara në tualet dhe në dushet e klubit privat në Florida, si edhe në ambjente të tjera si në sallën e vallëzimit, në një dhomë për mbajten e dokumentave, në zyrë dhe në dhomën e gjumit.

Prokurorët vunë në dukje se dhjetra mijëra persona vizituan klubin social në Mar-a-Lago, në periudhën mes fundit të Presidencës së zotit Trump në janar të 2021 deri në gusht të vitit 2022 kur FBI-ja kreu kontroll në rezidencën e tij.

Ata pretendojnë se pavarësisht këtij fakti, zoti Trump mbajti dokumentet e klafisikuara “në sallën e vallëzimit, në tualet, në dush, në dhomën e magazinimit, në zyrë dhe në dhomën e tij të gjumit”.

Pjesë e aktpadisë është edhe një fotografi ku duken kuti që janë vendosur njëra pas tjetrës në qendër të sallës së vallëzimit.

Aktakuza përmban gjithashtu fotografi të kutive të vendosura në dhomën e magazinimit, duke përfshirë një dokument të shënuar SECRET/REL TO USA, FVEY” që do të thotë informacion që mund t’u jepet vetëm anëtarëve të shërbimeve inteligjente të Australisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Në foto dokumenti i klasifikuar është redaktuar.

AVOKATI THOTË SE ZOTI TRUMP SUGJEROI HEQJEN E DOKUMENTAVE QË MUND TË ISHIN TË DËMSHME

Sipas aktakuzës, avokati i zotit Trump, i cili nuk kishte dijeni për transferimin e dokumenteve, më 2 qershor 2022, identifikoi 38 dokumente të shënuara si “të klasifikuara” dhe i futi ato në një dosje, të cilën e mbështolli me një shirit ngjitës të pastër që ia kishte dhënë ndihmësi i ish-presidentit, Walt Nauta. Ky i fundit më pas mori avokatin që të takohej me ish presidentin.

“A gjete ndonjë gjë? Është gjë e mirë? Ështe e keqe?”, e pyeti zoti Trump avokatin e tij.

Avokati u tha autoriteteve federale se ai bisedoi me zotin Trump mbi dosjen me dokumente të klasifikuara dhe për mënyrën se si duhej vepruar me to. Avokati tha se ndërsa biseduan që avokati t’i merrte me vete dokumentet, zoti Trump bëri gjeste që sugjeronin se ai donte që avokati të identifikonte “çdo gjë që mund të ishte vërtet e keqe” dhe “e ke parasysh vetë, hiqe”. Avokati qartësoi se zoti Trump nuk artikuloi udhëzime të tjera përveçse veprimit që nënkputonte “heqje të faqeve të dokumenteve”.

Avokati u tha autoriteteve se ai nuk hoqi asnjë dokument nga dosja, por në vend të kësaj, ai u vu menjëherë në kontakt me FBI-ë dhe një avokat tjetër të zotit Trump. Në 3 qershor, sipas aktpadisë, edhe avokati i dytë i zotit Trump ia ktheu dokumentet FBI-së.

NDIHMËSI I ISH-PRESIDENTIT TRUMP ZHVENDOSI KUTI ME DOKUMENTA NËN UDHËZIMIN E TIJ

Sipas aktakuzës, zoti Nauta veproi “nën udhëzimin” e zotit Trump” duke zhvendosur “rreth 64 kuti” me dokumente nga një ambjent në një tjetër brenda rezidencës së tij në Mar-a-Lago.

Ai i bëri këto zhvendosje në periudhën 23 maj – 2 qershor 2022, sipas aktakuzës.

30 nga këto kuti dyshohet të jenë zhvendosur më 2 qershor, ditë kur ekipi ligjor i zotit Trump pritej të analizonte dokumentat.

Zoti Nauta i lëvizi kutitë disa orë pasi kishte folur shkurtimisht në telefon me zotin Trump, sipas prokurorëve. As zoti Trump dhe as ndihmësi i tij Nauta, sipas aktakuzës, nuk u treguan avokatëve të ish-presidentit se zoti Nauta kishte hequr dokumenta nga dhoma ku ato ruheshin më parë.

Sipas kronologjisë së ndërtuar nga prokurorët, zoti Trump u takua më vonë atë ditë me një nga avokatët e tij dhe zoti Nauta e shoqëroi avokatin në dhomën e ruajtjes së dokumenteve, nga ku ishin hequr ndërkohë 64 kuti me dokumenta.

SIPAS AKTAKUZËS ZOTI TRUMP U KISHTE TREGUAR DOKUMENTE PERSONAVE TË TJERË

Aktakuza e bërë publike të premten detajon dy raste kur zoti Trump dyshohet se ua tregoi dokumentet personave të tjerë. Në një nga rastet, në një takim me një shkrimtar në klubin e tij të Golfit në Bedminster, New Jersey, ai përshkroi një “plani sulmi” që zyrtarët federalë kishin përgatitur për të dhe që sipas njoftimeve të mëparshme të medias ishte një dokument i Pentagonit për një plan për të goditur Iranin.

Gjatë bisedës ai mendohet se e ka pranuar se e dinte që informacioni “ishte ende sekret”.

Në një takim të mëvonshëm, ai i tregoi përfaqësuesit të një komiteti në mbështetje të ambicjeve të tij politike, “një hartë të klasifikuar në lidhje me një operacion ushtarak”. Ai kishte pohuar se “nuk duhet t’ia tregonte atë personit dhe se personi nuk duhej të afrohej shumë,” thanë prokurorët.

Prokurorët vënë gjithashtu në dukje se si zoti Trump, në një konferencë për shtyp kur ishte president në vitin 2017, foli për rrjedhje mediatike dhe tha se nxjerrja e informacionit të klasifikuar është “një proces i paligjshëm” dhe se njerëzve të përfshirë “duhet t’u vijë turp nga vetja”.

Prokurorët kanë një regjistrim audio të Trumpit duke diskutuar për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara

VOA/Marrë nga Associated Press

Sipas raporteve të mediave amerikane, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë një regjistrim audio të ish-presidentit Donald Trump nga një takim i mbajtur pasi ai ishte larguar nga detyra, në të cilin ai thotë se kishte në zotërim një dokument të klasifikuar të Pentagonit në lidhje me një sulm të mundshëm ndaj Iranit.

Rrjeti CNN, i cili raportoi fillimisht për regjistrimin, njofton se në të, Trumpi sugjeron që ai donte të ndante informacionin me të tjerët, por nuk mund ta bënte dot, pasi nuk mund ta deklasifikonte dokumentin, meqë nuk ishte president.

Komentet mbi regjistrimin, të bëra në korrik të vitit 2021 në klubin e tij të golfit në Bedminster, në shtetin e Nju Xhersit, duket se bien ndesh me pretendimet e përsëritura të ish-presidentit se ai i kishte deklasifikuar dokumentet që kishte marrë me vete nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago, në Florida, pas largimit nga detyra. Regjistrimi mund të jetë gjithashtu një provë kyçe për prokurorët, që kërkojnë të vërtetojnë se Trumpi e dinte se aftësia e tij për të mbajtur dokumente të klasifikuara ishte e kufizuar.

Një zëdhënës i Trumpit tha në një deklaratë se hetimi ishte “i pabazë” dhe përbënte “ndërhyrje të vazhdueshme në zgjedhjet presidenciale”.

Regjistrimi i është dhënë zyrës së prokurorit të posaçëm Jack Smith, që po heton prej disa muajsh rreth keqpërdorimit të mundshëm të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago dhe nëse Trumpi, apo dikush tjetër, është përpjekur të pengojë në mënyrë kriminale hetimet.

Hetimi penal filloi vitin e kaluar pasi Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve njoftoi FBI-në për praninë e dokumenteve të klasifikuara në 15 kuti të gjetura në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago dhe të dorëzuara me vonesë tek Arkivat.

Hetuesit fillimisht kërkuan që ish presidenti të dorëzonte gjithë dokumentat e mbetura të klasifikuara, por pasi morën vetëm rreth 36 kuti gjatë një vizite në qershor të vitit 2022 në Mar-a-Lago, u kthyen me një urdhër kërkimi dy muaj më vonë dhe gjetën edhe rreth 100 dokumente të tjera të shënuara si të klasifikuara.

Prokurori special Smith, po heton gjithashtu edhe rreth përpjekjeve të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Një hetim paralele po për këtë çështje po kryhet edhe nga prokurorët në Atlanta, të shtetit Xhorxhia. Prokurorët e Nju Jorkut e kanë akuzuar zotin Trump në fillim të këtij viti ndërkohë për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Sipas raportimit të CNN-it, regjistrimi është bërë gjatë një takimi në Bedminster mes ndihmësve të Trumpit dhe dy personave, që po punonin për autobiografinë e ish-shefit të kabinetit të Trumpit, Mark Meadows.

Sipas CNN-it, autobiografia e zotit Meadows përfshin një përshkrim të atij që duket të jetë i njëjti takim. Një avokat i zotit Meadows nuk pranoi të komentojë të mërkurën kur u kontaktua nga agjencia Associated Press.

CNN-i tha se dëshmitarët, përfshirë gjeneralin Mark Milley, Shefin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, janë marrë në pyetje në lidhje me episodin. Një zëdhënës i gjeneralit Milley nuk pranoi të komentojë mbi njoftimet se ai ishte intervistuar.

Donald Trump thotë se është akuzuar për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara

VOA/Marrë nga Associated Press

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump thotë se është paditur me akuza për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Florida, duke nxitur një ndjekje penale federale që është ndoshta më e rrezikshmja nga kërcënimet e shumta ligjore kundër tij ndërsa zoti Trump kërkon të rimarrë Shtëpinë e Bardhë.

Departamenti i Drejtësisë nuk kishte asnjë koment apo konfirmim të menjëhershëm.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në platformën Truth Social të enjten se administrata e presidentit Biden ka informuar avokatët e tij se ai është paditur.

Një person në dijeni për situatën, i cili nuk ishte i autorizuar për ta diskutuar atë publikisht, tha se avokatët e Trumpit u kontaktuan nga prokurorët pak para se ai të njoftonte në platformën e tij “Truth Social” se ai ishte paditur. Zoti Trump tha se do të dalë në gjykatë të martën pasdite në qytetin e Majamit.

Shtatë akuzat kundër ish-presidentit përfshijnë komplot për të penguar drejtësinë, mbajtje të qëllimshme të dokumenteve dhe deklarata të rreme, sipas dy burimeve në njohuri me aktakuzën.

USA-TRUMP/DOCUMENTS

USA-TRUMP/DOCUMENTS

Brenda 20 minutave nga njoftimi i tij, Donald Trumpi kishte filluar grumbullimin e fondeve për fushatën e tij presidenciale të vitit 2024.

Rasti shton thellimin e rrezikut ligjor për Trump-in, i cili tashmë është paditur në Nju Jork dhe përballet me hetime shtesë në Uashington dhe Atlanta që gjithashtu mund të çojnë në akuza penale.

Prosecutor Jack Smith

Prosecutor Jack Smith

Aktakuza lind nga një hetim njëmujor nga prokurori i posaçëm Jack Smith për të përcaktuar nëse Trumpi shkeli ligjin duke mbajtur qindra dokumente të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago, dhe nëse Trumpi ndërmori hapa për të penguar përpjekjet e qeverisë për t’i rimarë ato.

Prokurorët kanë thënë se Trump mori afërsisht 300 dokumente të klasifikuara në Mar-a-Lago pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, duke përfshirë rreth 100 dokumenta që u sekuestruan nga FBI-ja gushtin e kaluar gjatë një kontrolli të shtëpisë që qartësoi peshën e hetimit të Departamentit të Drejtësisë.

Zoti Trump dhe ekipi i tij e kanë parë prej kohësh hetimin e këshilltarit special si shumë më të rrezikshëm se çështja e Nju Jorkut – si politikisht ashtu edhe ligjërisht. Ndihmësit e fushatës ishin përgatitur për pasojat që kur avokatët e Trump-it u njoftuan se ai ishte objektivi i hetimit, duke supozuar se nuk ishte çështja nëse do të ngriheshin akuzat, por kur do të bëhej një gjë e tillë.

Mbetet e paqartë se cilat do të jenë pasojat politike të menjëhershme dhe afatgjata për Trumpin. Aktakuza e tij e parë solli miliona dollarë në kontribute nga mbështetësit e zemëruar dhe nuk e dëmtoi Trumpin në sondazhe. Pa marrë parasysh se çfarë, aktakuza – dhe lufta ligjore që pason – do ta kthejnë Trumpin përsëri në qendër të vëmendjes, duke tërhequr vëmendjen nga kandidatët e tjerë që po përpiqen të ndërtojnë vrull në garën presidenciale të 2024-ës.

Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet – dështimi rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në

VOA

Një grup senatorësh amerikanë të udhëhequr nga senatorja Jeanne Shaheen, thanë të mërkurën se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duhet të punojnë për të ulur tensionet në veri të Kosovës.Senatorët paralajmëruan se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të mund të dëmtonte marrëdhëniet e të dyja vendeve me Shtetet e Bashkuara.

“Si ligjvënës amerikanë, përtej linjave partiake, jemi gjithnjë e më të shqetësuar më situatën e brishtë e sigurisë në veri të Kosovës. Sot, ne ritheksojmë se ka mbështetje të gjerë dypartiake në Senatin amerikan për përpjekjet e Bashkimit Evropian në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, për të ndërmjetësuar një rrugë përpara. Por, që një zgjidhje të jetë e qëndrueshme, si kryeministri Kurti ashtu edhe presidenti Vuçiç duhet t’i dëgjojnë menjëherë thirrjet ndërkombëtare për të shtensionuar situatën, për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet vendore në veri dhe për t’u angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit duke themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Senatorët u bënë thirrje të udhëheqësve që ndërsa shqyrtojnë hapat e tyre të ardhshëm, të zgjedhin paqen, përparimin dhe sigurinë e qytetarëve të tyre.

“Dështimi për të ulur tensionet do të shkaktonte veprime me pasoja nga perëndimi, i cili ka punuar me zell për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë në rrugë përpara, dhe pa rrezikon pa nevojë të dobësojë marrëdhëniet tona dypalëshe. Kjo nuk është në interesin e askujt. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në mirëbesim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të gjetur një zgjidhje pa vonesë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të senatores Shaheen me kolegët e saj Chris Murphy, Chris Van Hollen, Ben Cardin, Thom Tillis dhe Pete Ricketts.

Tensionet pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se ulja e tensioneve, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe kthimi në tryezën e bisedimeve janë kërkesat e tyre kryesore.

Vdes në burg ish-agjenti i FBI-së Robert Hanssen, që spiunonte për Rusinë

VOA/Marrë nga Associated Press

Një ish-agjent i FBI-së, i cili mori më shumë se 1.4 milionë dollarë dhe diamante për t’i shitur sekrete Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik, një nga rastet më famëkeqe të spiunazhit në Shtetet e Bashkuara, vdiq të hënën në burg.

Robert Hanssen, 79 vjeç, vdiq në qelinë e tij në një burg federal në Florence të shtetit Kolorado, thanë zyrtarët e burgut.

Amerikani Hanssen besohet të ketë vdekur si rezultat i shkaqeve natyrore, tha për agjencinë e lajmeve Associated Press një individ që ka njohuri për çështjen. Individi foli në kushte anonime pasi nuk kishte autorizim për të diskutuar faktet në rrugë publike.

Robert Hanssen vuante dënim me burg të përjetshëm pasi u deklarua fajtor në vitin 2001 lidhur me 15 akuza për spiunazh dhe akuza të tjera.

Në vitin 1985 ai filloi t’i shiste të dhëna shumë sekrete Bashkimit Sovjetik dhe më pas Rusisë duke përfituar 1.4 milionë dollarë, diamante dhe fonde të tjera, sipas FBI-së.

Sipas Byrosë së Burgjeve, FBI-ja është njoftuar mbi vdekjen e famëkeqit Hanssen. Ai po vuante dënimin në një burg në Kolorado që nga korriku i vitit 2002.

Mike Pence shpall kandidaturën për president të SHBA-së

Radio Evropa e Lirë

 

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, më 5 qershor e shpalli veten kandidat në garën presidenciale të republikanëve për pozitën e presidentit, duke nisur kështu një betejë kundër ish-presidentit Donald Trump.

Ekipi i fushatës së Pence e paraqiti një deklaratë kandidature në Komisionin Federal të Zgjedhjeve të SHBA-së.

Pence do ta nisë fushatën e tij me një video dhe një fjalim në Iowa më 7 qershor, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters javën e kaluar tre burime të afërta me Pence.

Kandidimi i Pence e vë atë në garë kundër kandidatit kryesor nga radhët e Partisë Republikane, Donald Trump.

Pence kishte qenë zëvendëspresident i Trump, por kishte refuzuar ta mbështeste atë kur ai u përpoq t’i përmbyste rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, të fituara nga demokrati Joe Biden.

Ish-guvernatori i Indianas është distancuar gjithnjë e më shumë nga Trump, duke thënë se veprimet e Trump që inkurajuan sulmin ndaj ndërtesës së Kapitolit më 6 janar të vitit 2021 e kishin rrezikuar atë dhe familjen e tij, të cilët kishin qenë në ndërtesë në atë kohë.

Pence i bashkohet një numri të madh të kandidatëve republikanë, që përfshijnë Trump, senatorin amerikan Tim Scott dhe ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley. Guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum po planifikon gjithashtu të hyjë në garë së shpejti, sipas burimeve të Reuters.

Edhe ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, do t’i bashkohet garës më 6 qershor, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kandidatëve republikanë në dyshifrorë.

Numri i madh i kandidatëve ka shqetësuar shumë kundërshtarë të Trump brenda Partisë Republikane, të cilët kanë frikë se vota kundër Trumpit mund të ndahet dhe t’ia dorëzojë kështu nominimin e partisë ish-presidentit.

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim: Zhgënjim – SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim të sigurisë kombëtare!

 

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim shpreh zhgënjimin e saj në Twitter:

“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirant të BE dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare.

Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.”

 

Murphy kërkon “angazhim agresiv” të SHBA-së në Ballkan

Radio Evropa e Lirë

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

“Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

“Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

“Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Një ditë më herët, kryeministri Kurti bëri të ditur se ka biseduar me zëvendëskëshilltarin amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer, dhe senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen, ku sipas tij, theksoi përkushtimin “për të punuar me SHBA-në për të ulur tensionet” në veri të Kosovës.

“Kjo [ulja e tensioneve] kërkon përfundim të menjëhershëm të dhunës nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër zyrtarëve të sigurisë deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”, thuhet në postimin e Kurtit në Twitter.

Përpjekjet ndërkombëtare për të ulur tensionet në Kosovë u intensifikuan, derisa serbët vazhdojnë protestat në pjesën veriore të vendit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave.

Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Gjatë një adresimi më 31 maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.

Sekretari i Shtetit Blinken: Qeveria Kurti të tërheqë forcat policore; Vuçiç të ulë nivelin e gadishmërisë së ushtrisë

VOA

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan “të papranueshme”.

Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, shprehet zoti Blinken.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, thekson ai, “duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.

Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gadishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken.

Kryediplomati amerikan u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç shprehet ai “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.

Blinken: Qeveria Kurti të tërheqë forcat policore; Vuçiçi të ulë nivelin e gadishmërisë së ushtrisë

VOA

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken u bëri thirrje të martën të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe gazetarëve, që ai e quan “të papranueshme”.

Kjo është deklarata e dytë, që nga e premtja, që sekretari amerikan i shtetit fajëson qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, shprehet zoti Blinken.

“Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, thekson ai, “duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre.

Presidenti Vuçiç dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gadishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”, thekson Sekretari Blinken.

Kryediplomati amerikan u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë, siç shprehet ai “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.

Ivana Stradner: Izolacionizmi Amerikan nga Obama, Trump, Biden – një politikë e jashtme e rrezikshme që e ka dëmtuar Ballkanin

Izolacionizmi amerikan që nga Obama e ka dëmtuar vërtetë Ballkanin.

Trump dhe Biden sapo kanë vazhduar këtë politikë të jashtme të rrezikshme.

SHBA po bën fjalë për fjalë të njëjtin gabim në Ballkan që bënë në Rusi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

I kujtoj vetes çdo ditë se SHBA nuk është as Trump, as Biden.

SHBA është ideja.

Unë e di se dikush me një busull moral dhe kurajo një ditë do të jetë në pushtet dhe do të bëjë gjëra që vërtet avancojnë sigurinë tonë kombëtare.

 

Janusz Bugajski: Jo palë në destabilizmin rajonal të Vuçiç – mbështetje shtetit të Kosovës – dhe jo “negociata” të kota

Pas trazirave të djeshme në veriun e Mitrovicës ka bërë disa në Twitter reagime Janusz Bugajski, eksperti Amerikan i Bllkanit, të cilat Voal.ch do t’i botojë në vijim:

“Është koha për të mbështetur një transformim demokratik në Serbi dhe

për të mos qenë palë në destabilizimin rajonal të Vuçiqit.

Është koha për të mbështetur legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës

dhe për të mos u fshehur pas “negociatave” të kota.”

 

Janusz Bugajski: Politika e Bidenit për Ballkanin po dështon dhe ka nevojë për një rishikim të madh

Ka patur disa reagime eksperti amerikan i Ballkanit Janusz Bugajski të cilat Voal.ch do t’i përcjellë respektivisht thekseve:

 

“Zbutja e liderëve pro-Moskë në Beograd, mbështetja për separatizmin serb në Kosovë,

nxitja e ndarjeve etnike të Bosnjës dhe

mbështetja e politikanëve amatorë në Mal të Zi do të çojë në konflikte të dhunshme.

Politika e Bidenit për Ballkanin po dështon dhe ka nevojë për një rishikim të madh.”

Gjenerali i njohur me nofkën ‘Krijesa e Moçalit’, emërohet Shef Shtabi i Ushtrisë

Presidenti Joe Biden emëroi për detyrën e Shefit te Shefave të Shtabit të Bashkuar, gjeneralin me katër yje Charles Quinton Brown Jr.

Shtabi i Bashkuar përbëhet nga shefat e gjashtë degëve të ushtrisë: forcat tokësore, forcat detare, forcat ajrore, marinsat, garda kombëtare dhe operacionet hapësinore. Gjenerali Brown, aktualisht është Shef i Shtabit të Forcave Ajrore.

Piloti i avionëve luftarakë e ka marrë nofkën ‘Krijesa e Moçalit’, nga një ngjarje e vitit 1991, kur ai u hodh me katapultë nga një avion luftarak F-16, që po digjej, mbi një park kombëtar në shtetin e Floridës.

Ishte janar dhe kapiteni CQ Brown Jr. duhej të merrte një vendim brenda disa sekondash. Shtyp butonin dhe hidhet me parashutë mbi ligatinat e mbushura me krokodilë.

Shpresoj të mos ketë asgjë aty poshtë“, ishte ajo ç’ka mendoi ndërsa ulej me parashutë, siç e rrëfeu vetë vite më pas, në një intervistë gjatë Forumit të Sigurisë që u mbajt në Aspen, vitin e kaluar.

Ai u zhyt në baltë, e cila i mbuloi trupin. Që nga ajo ngjarje, ai do të njihej mes kolegësh pilotë, si “Krijesa e Moçalit”.

Zoti Brown, tashmë një gjeneral me katër yje dhe shef i Forcave Ajrore, u emërua të enjten nga Presidenti Biden. Nëse konfirmohet, ai do të zëvendësojë gjeneralin Mark Milley, mandati i të cilit përfundon në tetor.

Zoti Brown, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij si një nga aviatorët kryesorë të Forcave Ajrore. Ai ishte një nga pilotët e paktë me ngjyrë dhe shpesh një nga të vetmit afrikano-amerikanë në skuadriljen e tij.

Gjatë një konference të shoqatës së Forcave Ajrore që u mbajt në Kolorado këtë muaj, zoti Brown tha se parimet që e udhëheqin atë në zbatimin e detyrës së tij janë “përmbushja e detyrave me një standard të lartë, personal e profesional”.

Unë nuk garoj për vendin e dytë. Nëse jam në garë e marr atë seriozisht. Futem për të fituar, jo për të humbur”, tha ai.

Zoti Brown ka bërë shpesh histori gjatë karrierës së tij. Ai ka qenë komandanti i parë me ngjyrë i Forcave Ajrore të Paqësorit dhe së fundmi shefi i parë me ngjyrë i shtabit të Forcave Ajrore, duke e bërë atë afrikano-amerikanin e parë, që drejton një nga degët e ushtrisë.

Nëse konfirmohet, ky zhvillim do të shënonte sërish histori, pasi do të ishte hera e parë, që të dy postet kryesore të Pentagonit, do të mbaheshin nga afrikano-amerikanë. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, një afrikano-amerikan, udhëheq postin më të lartë civil.

Por zoti Brown nuk do të ishte afrikano-amerikani i parë që do të merrte detyrën e Shefit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, posti kryesor ushtarak i Pentagonit. Ishte gjenerali i ndjerë Colin Powell, i cili bëri histori, duke marrë këtë detyrë.

Gjashtëdhjetë vjeçari Brown, ka komanduar forcat ajrore të vendit në të gjitha nivelet. I lindur në San Antonio ai rrjedh nga një familje ushtarakësh. Gjyshi i tij, drejtonte një njësi ushtarake me afrikano-amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, të cilët mbaheshin të ndarë nga pjesa tjetër e ushtrisë. Ndërsa babai i tij ka shërbyer si oficer artilerie dhe ka qenë veteran i Luftës së Vietnamit. Zoti Brown u rrit në disa baza ushtarake në shtete të ndryshme të vendit, të cilat rrënjosën tek ai një ndjenjë misioni.

Emërimi i tij vjen pas një karriere ushtarake prej katër dekadash, që nis me diplomimin me rezultate të larta nga Universiteti Teknik i Teksasit në 1984, për të mbërritur tek emërimi i tij në Shtëpinë e Bardhë.

Ai shihej gjerësisht brenda qarqeve ushtarake si kandidat kryesor për këtë detyrë, me autoritetin e duhur dhe një historik për rolin e tij udhëheqës në ndryshime institucionale. Atribute këto që shihen si të nevojshme për ta vendosur Pentagonin në themele më moderne, për t’u përballuar me një Kinë që po forcohet.

Gjatë dy viteve të fundit zoti Brown ka nxitur brenda Forcave Ajrore një fushatë me sloganin “Përshpejto, ndrysho, ose humb”. Fushata duket se përqëndrohet kryesisht tek Kina. Ajo synon ta shtyjë këtë degë të ushtrisë që të heqë dorë nga avionët luftarakë të vjetër e të shpejtojë përpjekjet për t’u përballuar me avionë hipersonikë, dronë e armë hapësinore, me të cilat inventari i ushtrisë amerikane, i epokës së Luftës së Ftohtë, nuk përputhet.

Personalisht, zoti Brown njihet si një person i rezervuar, që mendohet shumë dhe i matur. Në ndryshim, gjenerali Milley njihet për të folurin e tij pa doreza, që shpesh ka qenë si kundërpërgjigje ndaj ish-Presidentit Donald Trump dhe ligjvënësve republikanë.

Ai (Brown) nuk është i prirur të thotë diçka pa e menduar atë seriozisht, dukë bërë një peshim të të gjitha mundësive”, thotë shefi i Shtabit të Forcave Ajrore në pension, gjenerali Michael Moseley, i cili e njeh zotin Brown, që nga koha kur ai ishte një nga drejtuesit e kësaj force.

Zoti Brown ka mbi 3 mijë orë fluturimi në historikun e tij dhe ka shërbyer disa herë në Shkollën mbi armatimet e Forcave Ajrore, një shkollë kjo elitë, e ngjashme me shkollën TOPGUN të Marinës. Në këtë shkollë pranohen vetëm rreth 1% e pilotëve të Forcave Ajrore, thotë Gjeneral Moseley.

Gjate forumit të Aspenit zoti Brown tha se ngjarja e vitit 1991 ishte një moment shumë delikat.

Isha disa i irrituar pasi ndodhi pikërisht përpara se të bëheshin përzgjedhjet për në shkollën e armatimeve”, tha ai në forumin e Aspenit. Ai tha se iu desh të aplikonte tre herë përpara se ta pranonin, duke vënë në dukje se “ka konkurencë të lartë”.

Por ai arriti të dalë në krye edhe në këtë shkollë dhe u bë instruktor, “gjë që arrihet nga vetëm 1% e 1%-shit”, tha Gjenerali Moseley.

Zoti Brown u rikthye më vonë në këtë shkollë si komandant i saj. Shkolla ishte shndëruar në atë kohë nga një institucion për mësimdhënien e operacioneve luftarake të ajrit, në mësimdhënie për operacione të kombinuara me tanke, avionë bombardues dhe transportues.

Zoti Brown kuptoi se shkollës “i duhej një përqasje tjetër”, tha Gjenerali në pension i Forcave Ajrore Bill Rew. Komandantët e mëparshëm ishin përpjekur më parë të zbatonin një moto të re: “të përulur, të afrueshëm, të besueshëm”, por ajo nuk kishte zënë vend.

Nën drejtimin e zotit Brown, ndryshimi kulturor zuri vend dhe vazhdon edhe sot, tha zoti Rew, që kishte qenë ndër instruktorët e zotit Brown në shkollën e armatimeve dhe komandant skuadriljeje gjatë periudhës në detyrë të zotit Brown si komandant.

Kjo kërkonte një lloj aftësie drejtuese që nuk e bën të detyrueshëm ndryshimin kulturor për njerëzit, por që e shpjegon atë dhe i motivon ata për arsyet përse ky ndryshim është i rëndësishëm”, tha zoti Rew.

Në qershor 2020, zoti Brown gjendej vetëm një javë pranë konfirmimit nga Senati për t’u bërë shef shtabi i Forcave Ajrore, kur ai ndjeu nevojën për të folur për vrasjen e George Floyd-it.

Ishte e rrezikshme dhe një moment jo i përshtatshëm që gjenerali të tërhiqte vëmendje publike dhe të shprehte publikisht mendimet e tij personale. Por sidoqoftë ai e bëri këtë, pasi diskutoi me bashkëshorten dhe djemtë e tij për vrasjen dhe krijoi bindjen se duhej të thoshte diçka.

Në një mesazh me video të drejtuar ushtarakëve në qershor 2020, të titulluar “Ja çfarë unë mendoj”, zoti Brown përshkroi se si e kishte shtrënguar veten “për të vepruar pa asnjë gabim” si pilot dhe si oficer gjatë gjithë jetës së tij, por se prapë ishte përballur me paragjykime. Ai tha se kishin vënë në dyshim aftësitë e tij, edhe kur kishte qenë i veshur me të njëjtën uniformë piloti si kolegët e tjerë.

Kanë kaluar 30 vjet që kur zoti Powell u bë shefi i parë afrikano-amerikan i shefave të shtabit të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, detyrë në të cilën shërbeu gjatë periudhës 1989-1993. Por ndërsa afrikano-amerikanët janë 17.2% e totalit prej 1.3 milionë ushtarakësh në shërbim aktiv, vetëm 9% e oficerëve janë afrikano-amerikanë, thuhet në një raport të vitit 2021 të Departamentit të Mbrojtjes.

Mendoja për ata që më kanë këshilluar dhe se sa rrallë ndeshja në një të tillë, që dukej si unë”, tha zoti Brown në videon e tij.

Emërimi im ofron një farë shprese, por se gjithashtu vjen me një barrë të rëndë – unë nuk mundem të ndreq shekuj racizmi në vendin tonë, dhe as nuk mundem të ndreq dekada diskriminimi që mund të ketë ndikuar tek anëtarët e Forcave tona Ajrore. Mendohem se si mundem të bëj përmirësime, personalisht, profesionalisht dhe institucionalisht”, në mënyrë që të shkëlqejnë të gjithë anëtarët e Forcave Ajrore, tha ai.

Vendimi për të folur haptazi nuk i solli pasoja. Votimi në Senat për konfirmimin e tij ishte 98 me 0.

Por ashtu sikurse ai moment i shkurtër në Aspen, mesazhi personal me video ishte diçka e rrallë. Pas konfirmimit, ai uli sërish profilin e tij publik dhe iu fut punës.

Gjykatësi cakton 25 marsin 2024, si datë për një gjyq ndaj ish-presidentit Trump

VOA

Një gjykatës caktoi të martën 25 marsin 2024, si datë paraprake për një gjyq ndaj ish-presidentit Donald Trump, e cila do të përkonte me kulmin e sezonit për zgjedhjet për kandidatin presidencial brenda Partisë Republikane.

Gjykatësi e njoftoi datën në një seancë ku zoti Trump mori pjesë përmes videos. Ai kishte deklaruar muajin e kaluar se ishte i pafajshëm për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit.

Në seancën e së martës, gjykatësi i Manhatanit, Juan Merchan shqyrtoi një urdhër që ndalonte ish-presidentin Trump të shpërndante publikisht disa prova të dorëzuara nga prokurorët.

Zoti Trump u lejua të mos paraqitej personalisht në gjykatë, për të shmangur sfidat e mëdha të sigurisë dhe logjistikës që shoqëruan shpalljen e akuzës ndaj tij muajin e kaluar.

Ish-presidenti republikan mund të flasë publikisht për çështjen penale, sipas urdhrit të gjykatësit Merchan, por ai mund të mbajë përgjegjësi për shpërfillje të gjykatës, nëse përdor provat e dhëna nga prokurorët kundër dëshmitarëve ose personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.

Zoti Trump deklaroi se ishte i pafajshëm më 4 prill për 34 akuza lidhur me falsifikim të të dhënave të biznesit në lidhje me pagesat që kompania e tij i kishte dhënë ish-avokatit të tij, Michael Cohen.

Prokurorët thonë se këto pagesa kishin për qëllim rimbursimin dhe kompensimin e zotit Cohen për kryerjen e pagesave në këmbim të heshtjes gjatë fushatës së vitit 2016 lidhur me akuza për marrëdhënie jashtëmartesore. Zoti Trump mohon të ketë pasur lidhje jashtëmartesore dhe thotë se ndjekja penale është e motivuar politikisht.

Urdhri i gjykatësit Merchan ndalon zotin Trump dhe avokatët e tij të shpërndajnë prova te palët e treta ose t’i postojnë ato në mediat sociale dhe kërkon që disa materiale të ndjeshme të shpërndara nga prokurorët të mbahen vetëm nga avokatët e zotit Trump, jo vetë ai.

Prokurorët kërkuan urdhrin nga gjykata menjëherë pas arrestimit të zotit Trump, duke përmendur atë që ata thonë se është prirja e tij për të bërë “deklarata ngacmuese, që vënë njerëzit në pozitë dhe kërcënuese” për njerëz me të cilët është angazhuara në mosmarrëveshje ligjore.

Gjykatësi Merchan, duke vënë në dukje statusin “të veçantë” të zotit Trump si ish-president dhe kandidat aktual, e ka bërë të qartë se urdhri mbrojtës nuk duhet të interpretohet si një urdhër për t’i mbyllur atij gojën dhe se zoti Trump ka të drejtë të mbrohet publikisht.

Avokatët e ish-presidentit Trump po kërkojnë që çështja e tij penale të transferohet në gjykatën federale. Derisa të vendoset nëse një gjë e tillë do të pranohet, ajo do të vazhdojë në gjykatën shtetërore.

BOMBARDIM DIPLOMATIK DHE POLITIK SERBISË NË SENATIN AMERIKAN -Asociacioni i komunave serbe i pa arsyetueshëm, i pa nevojshëm dhe i rrezikshëm Nga MSc. Agim Aliçkaj

 

Në senatin amerikan u mbajt seancë dëgjimore jashtëzakonisht e rëndësishme për të trajtuar situatën dhe vlerësuar politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, senatori Bob Menendez u dëshmua të jetë simboli i drejtësisë dhe madhështisë amerikane sot, njësoj si Presidenti Biden në ditët e tij në Senat, senatorët Bob Dole dhe John McCain, si dhe kongresmenët Tom Lantos dhe Ben Gilman.

Mbajtja e një seance dëgjimore të këtij niveli dhe rëndësie është e mundur vetëm në vendin më të drejtë dhe më demokratik në botë, në vendin ku edhe kombet e vogla mund të gjejnë drejtësi dhe mbrojtje, SHBA.

Serbia u trajtua për atë që është, një shtet kriminal autoritar, agresor i luftës dhe agresor në paqe, i orientuar fort drejt Rusisë dhe Kinës. Përderisa Kosova është një vend demokratik në ndërtim, viktimë e luftës dhe viktimë në paqe, me orientim të qartë për BE dhe SHBA, Serbia dhe Rusia janë të angazhuara shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, kundër interesave strategjike amerikane dhe evropiane.

Komentet dhe pyetjet e Senatorit Menendez ishin të qarta, të drejtpërdrejta, të drejta dhe shumë të vlefshme për zgjidhjen e problemit ballkanik dhe të ardhmen e tij në Evropë. Këto janë pyetjet e shqiptarëve dhe njerëzve të tjerë paqedashës, të cilët janë të zhgënjyer nga padrejtësia e hapur ndërkombëtare ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Ne po shohim presionin të madh ndaj Kosovës dhe asnjë presion ose shumë pak ndaj Serbisë. Nuk shoh asnjë garanci që Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të bëhet një Republika Srpska tjetër, e cila do ta bënte Kosovën shtet jofunksional, sikurse Bosnja! Të njëjtën pyetje i bëra zotit Escobar një vit më parë dhe nuk mora asnjë përgjigje të kënaqshme”.

Ai vazhdoi të parashtrojë në detaje situatën reale në Ballkanin Perëndimor.

Njëra palë në dialog nuk po merr pjesë me mirëbesim. Vuçiq ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit dhe ka shprehur mospajtime me të menjëherë. Ai thotë një gjë për të qetësuar liderët perëndimorë dhe një tjetër për publikun serb përmes mediave të kontrolluara. Serbia tashmë e ka thyer marrëveshjen duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe duke inkurajuar bojkotimin e zgjedhjeve komunale nga pakica serbe.

Serbia po refuzon të vendosë sanksionet e demokracive perëndimore ndaj Rusisë, ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka miratuar një vizion të “Serbisë së madhe” në përputhje me “Rusinë e madhe” të Putinit. New York Times Magazine raporton për ndërlidhjen e Vuçiqit dhe qeverisë së tij me bandat kriminale serbe.

“Unë jam informuar nga krerët e Luginës së Preshevës për diskriminimin e shqiptarëve etnikë atje. Identiteti i tyre po shlyhet përmes pacifikimit të adresave. Çfarë po bëhet për këtë? Po ashtu, çfarë po bëhet për të bindur pesë vendet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë këtë”.

“Ne duhet të kërkojmë zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, jo ndonjë zgjidhje të përkohshme që favorizon njërën palë. Synimi ynë duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare e bazuar në njohjen reciproke, asgjë tjetër”, konkludoi z. Menendez.

Ishte domethënëse që këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet, dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dy diplomatë me përvojë të madhe, në dëshminë e tyre shprehën mbështetjen e tyre të fortë dhe të palëkundur për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Ata theksuan se nuk do të pranojnë krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë.

Mirëpo, ata nuk arritën të shpjegojnë se përse nevojitet Asociacioni i komunave serbe pasi që minoriteti serb po i gëzon jo vetëm të gjitha të drejtat, por edhe privilegjet si asnjë minoritet tjetër në botë. Duket qartë se është i nevojshëm vetëm për të kënaqur dhe qetësuar kriminelët dhe shovinistët serbë.

Shpjegimi i zotit Escobar se Marrëveshja për Asociacion është një detyrim ndërkombëtar i pranuar nga Kosova 10 vjet më parë, se nuk duhet konsideruar si favor për Serbinë, se do t’ua marrë argumentin dhe do të vërë minoritetin serb nën kontroll nga Kosova, është naiv dhe pa kurrëfarë baze.

Realiteti është se kjo Marrëveshje nuk është ratifikuar asnjëherë nga Parlamenti serb dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur atë jokushtetuese. Serbia ka thyer shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara. Kërkesa për Asociacion është një parakusht serb i planifikuar me kujdes, shumë i rrezikshëm, i cili nëse pranohet, do të pasohet nga parakushte të tjera të pafundme. Është vegël, dëshirë dhe përpjekje serbe për ta shkatërruar Republikën e Kosovës.

Z. Escobar është mire të marrë këshilla direkte nga Presidenti Biden, i cili e di më mirë se kushdo se si politikanët serbë gënjejnë, mashtrojnë, shtiren, nxisin dhe manipulojnë. Ose, ai duhet të lexojë deklaratën e babait serb Dobrica Cosiq për talentin e tyre për të gënjyer, gjë që, sipas tij, i ka shpëtuar shumë herë në histori. Ata janë mjeshtrit e viktimizimit.

Ishte e paprecedentë që z. Chollet pranoi se artikulli i New York Times Magazine për ndërlidhjen e Vuçiqit dhe qeverisë së tij me bandat kriminale në Serbi dhe në veri të Kosovës është i vërtetë.

Megjithatë, ai nuk ishte në gjendje të shpjegonte se si ata mund të konsiderohen partnerë të besueshëm për të punuar dhe zbatuar marrëveshjet. Ai tha se ne i kemi paralajmëruar për këtë dhe se do t’i mbajmë sytë hapur në kontaktet tona. Megjithatë, kjo nuk dukej të ishte një përgjigje e kënaqshme.

Pjesa më shqetësuese dhe zhgënjyese e dëshmisë ishte kur z. Chollet dhe z. Escobar po përpiqeshin të fajësonin të dyja palët për mungesë bashkëpunimi dhe zbatimi, gjë që thjesht nuk është e vërtetë. Është e qartë se vetëm njëra anë është duke krijuar të gjitha problemet. Është Serbia shoviniste, fashiste, raciste dhe hegjemoniste.

Ky është vazhdimi i politikës së dështuar evropiane të qetësimit të agresorit dhe fajësimit të barabartë të viktimës. E gjithë kjo për arsye gjeopolitike dhe shpresa të rreme se Serbia do të braktisë Rusinë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë.

Mund të konstatohet se kjo seancë dëgjimore ishte një ngjarje historike që jep shpresë për një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme të problemeve ballkanike. Njohja reciproke dhe përfshirja graduale në strukturat evropiane dhe në sistemin e mbrojtjes së NATO-s është e vetmja rrugë përpara.

Nga ana tjetër, ka shumë gjasa që, me marrëveshje ose jo, me njohje ose jo, Serbia do të jetë burim i përhershëm destabilizimi dhe kërcënim për paqen në Evropë. Përgjigja e vetme është ta bëjmë Kosovën të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht në mënyrë që kriminelët serbë të mos guxojnë kurrë të sulmojnë Kosovën apo ndonjë shtet tjetër ballkanik.

Falenderime të veçanta për drejtuesit legjendar të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, anëtarët e Bordit të Ligës dhe të gjithë mbështetësit e tjerë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare në Washington! Jam thellësisht i nderuar dhe jashtëzakonisht i lumtur që jam pjesë e këtyre përpjekjeve Nobel në interes të kombit tonë për më shumë se 32 vjet.

Senatori i njohur amerikan: Arrestimi i Belerit është i dyshimtë! Do ketë pasoja për integrimin e vendit

Komisioni i Jashtëm i Senatit amerikan zhvilloi sot një seancë dëgjimore për Ballkanin Perëndimor.

Fokusi ishte marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërsa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dominuan seancën.

Megjithatë, kreu i këtij komisioni, senatori Robert Menendez ngriti edhe shqetësimin e arrestimit të Fredi Belerit në Shqipëri, duke thënë se arrestimi dy ditë përpara zgjedhjeve ngre pikëpyetje.

“Unë e vë gjithmonë në pikëpyetje diçka që ndodh dy ditë përpara zgjedhjeve,” tha ai, duke iu drejtuar këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.

Robert Menendez: E kuptoj që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përfshi gjyqësorin e pavarur, janë elementë kyçë të demokracisë. Jam i shqetësuar që policia shqiptare ka arrestuar një shtetas grek dy ditë përpara zgjedhjeve. Do shohim se si do dalin provat. Qeveria greke e ka bërë të qartë se kjo do ketë implikime për aspiratat shqiptare drejt BE. Çfarë po bëjmë ne për të siguruar që autoritetet shqiptare po zbatojnë ligjin?

Derek Chollet: Ne dëgjuam dje nga ambasadori grek, të dy ne dëgjuam dhe zoti Escobar pati mundësinë të lidhet me të. Është diçka për të cilën jam informuar dje dhe kemi komunikuar me ambasadën tonë në Tiranë për të kuptuar plotësisht se çfarë ka ndodhur. syri.net

Chollet e Escobar flasin sot në Senatin amerikan për Ballkanin Përëndimor

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë zhvillon të enjten seancën dëgjimore të quajtur “Vlerësimi i politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor”.

Në këtë seancë dëgjimore të ftuar janë: Derek Chollet, Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit dhe emisari amerikan pёr Ballkanin Perёndimor, Gabriel Escobar, njofton RTK.

Ndryshe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se është e nevojshme që të shmangen provokimet dhe konfliktet si dhe është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve, duke i dhënë mbështetje procesit të dialogut në Bruksel.

Zyrtari i lartë amerikan Chollet këto deklarata i ka bërë dje gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Projektligji amerikan për ndjekjen penale të krimeve ruse të luftës në Ukrainë

VOA/Katherine Gypson

Ligjvënësit amerikanë po punojnë për të hartuar një ligj që i kërkon Presidentit Joe Biden të formojë një gjykatë speciale për të hetuar krimet e agresionit rus në Ukrainë.

Votimi i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme do t’i hapë rrugën votimit të plotë në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me projektpropozimin në fjalë dhe është pjesë e një përpjekje më të gjerë dypartiake që synon mbajtjen e Rusisë përgjegjëse nga komuniteti ndërkombëtar.

Në fillim të vitit, një grup senatorësh të udhëhequr nga demokrati Dick Durbin dhe republikani Lindsey Graham i kërkuan Presidentit Biden që të mbështesë hetimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) për krimet ruse të luftës në Ukrainë, pasi ky organ lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin.

Votimi në Kongresin amerikan vjen ndërsa Ukraina mposhti një sulm me raketa hipersonike ruse në Kiev duke përdorur sistemet amerikane të raketave Patriot.

Senatorja demokrate Jeanne Shaheen i tha Zërit të Amerikës se kjo ishte një shenjë inkurajuese e mbështetjes amerikane për Ukrainën.

“Është vendimtare. Ukraina ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë, në mënyrë që të shmangë agresionin e paprovokuar rus dhe vrasjet masive që po përjeton popullsia civile në Ukrainë”, tha ajo.

Senatori demokrat Ben Cardin i tha Zërit të Amerikës se ndërsa mbrojtja ajrore është një pjesë kritike e sigurisë për Ukrainën, “Ata kanë një kufi të gjerë. Pra, ka një kufizim se sa efektivë mund të jemi në ofrimin e armëve mbrojtëse. Por është kritike dhe ne duhet të bëjmë më shumë”, tha ai.

Ligjvënësit amerikanë po peshojnë gjithashtu alternativa afatgjata për t’iu kundërvënë kërcënimeve të Kremlinit.

Senatori republikan Jim Risch, me Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, paralajmëroi të martën se: “Duket se Shtëpia e Bardhë nuk mendon derisa Moska të bëjë një lëvizje dhe asnjëherë

nuk ka vepruar në mënyrë proaktive për ta detyruar Kremlinin që të reagojë ndaj nismave tona. Përpara se sulmi rus të na kujtonte se dobësia lë hapësirë për agresion, qasja e kësaj administrate i ngjasonte politikës së dështuar të Presidentit Obama”.

Analistët u thanë ligjvënësve se politika e SHBA-së duhet hartuar përtej nevojës imediate për ta ndihmuar Ukrainën.

DASH publikon raportin për lirinë fetare: Cilat janë problemet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut?

Sekretari i Shtetit Antony Blinken duke paraqitur Raportin Vjetor për Lirinë Fetare

 

VOA

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të martën raportin vjetor për gjendjen e lirisë fetare në botë gjatë vitit 2022. Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vë në dukje se ndërsa vazhdojnë kufizime domethënëse nga qeveritë në mbarë botën ndaj praktikave fetare, njerëzit vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike në kërkim të lirisë së besimit.

Raporti përmban kapituj të veçantë për gjendjen e lirisë së besimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

SHQIPËRI

Në pjesën për Shqipërinë, raporti vë në dukje se qeveria shqiptare ka në fuqi marrëveshje me pesë komunitete fetare, nëpërmjet të cilave i njeh këto grupe si komunitetet kryesore të besimit në vend dhe trajton brenda këtij kuadri çështjet e rikthimit të pronave dhe çështje të tjera. Qeveria shqiptare megjithatë ndihmon financiarisht vetëm katër prej tyre. Raporti përmend se në gusht Dëshmitarët e Jehovait ngritën një padi gjyqësore për shkak se qeveria shqiptare nuk i ishte përgjigjur kërkesës për arritjen e një marrëveshjeje të ngjashme si me pesë komunitetet e tjera të besimit.

Të pesë komunitetet fetare që kanë marrëveshje me qeverinë shqiptare raportuan probleme me procesin e rikthimit të pronave, ndërsa agjencia përkatëse shtetërore përmend kufizimet për shkak të zënies së territorit nga ndërtime të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe hapësirat e pakta të disponueshme.

Në tërësi, komunitetet fetare në Shqipëri i përshkruajnë si pozitive marrëdhëniet mes besimeve, megjithëse Dëshmitarët e Jehovait thonë se vazhdon raportimi nën një dritë negative nga disa media në vend, dhe se katër padi të ngritura ndaj këtyre mediave për shpifje që në vitin pararendës vazhdonin të ishin në proces gjyqësor.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë vazhdoi t’u bëjë thirrje zyrtarëve të qeverisë shqiptare që të përshpejtojnë procesin e rikthimit të pronave dhe objekteve të tjera të konfiskuara gjatë epokës komuniste. Ambasada vazhdon të mbështesë programet për të rinjtë, për nxitjen e gjithëpërfshirjes dhe fuqizimin e rolit të grave në komunitetet fetare.

KOSOVË

Megjithëse kushtetuta e vendit ndalon diskriminimin fetar dhe garanton lirinë e besimit, legjislacioni i vendit nuk ofron mundësinë për grupet fetare që të fitojnë status ligjor.

Policia i ndaloi Kishës Ortodokse Serbe mbajtjen e liturgjisë në një kishë të kontestuar dhe në disa shkolla të vendit vazhdoi zbatimi i një udhëzimi të qeverisë për ndalimin e veshjeve fetare, duke ua ndaluar kështu qasjen në mësimdhënie nxënëseve që mbajnë hixhab. Pati raportime për diskriminim edhe në vende publike apo në mjediset e punës ndaj grave myslimane që mbajnë veshje fetare.

Qeveria e Kosovës vazhdon të mos zbatojë një vendim të gjykatës të vitit 2016 për njohjen e pronësisë së Kishës Ortodokse Serbe të zonës përreth Manastirit të Deçanit, ndërsa Kisha Protestante Evangjeliste e Kosovës, Dëshmitarët e Jehovait dhe grupe të tjera thanë se mungesa e mbështetjes institucionale për varreza të dedikuara ua mohoi të drejtën e varrimit sipas besimit të tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë vazhdon ta inkurajojë qeverinë e Kosovës që të hartojë legjislacionin që do t’u mundësojë grupeve fetare marrjen e statusit ligjor, që do të krijonte mekanizmat për të mbrojtur lirinë e besimit dhe do të zgjidhte mosmarrëveshjet për pronësinë. Në një prej takimeve ndërfetare të ambasadës amerikane, për herë të parë u përfshinë drejtues të tarikateve, bektashinjve dhe të tjerë.

MAQEDONI E VERIUT

Megjithëse kuadri kushtetues dhe ligjor i vendit garanton barazi përpara ligjit për të gjithë individët pavarësisht besimeve të tyre fetare, pesë grupe fetare të krishtera, myslimane dhe hebraike përcaktohen si përfitues automatikisht nga përjashtimi për taksat dhe detyrime të tjera. Një grup pune i krijuar nga qeveria maqedonase në vitin 2021 vazhdoi të shqyrtojë amendamente ligjore për t’u mundësuar kishave dhe xhamive individuale marrjen e statusit si entitete ligjore. Qeveria maqedonase dhe Komuniteti i Bektashinjve të Tetovës vazhduan të kenë dallime për sa i përket regjistrimit të këtij grupi fetar. Ky komunitet nuk e riparaqiti kërkesën e tij për regjistrim të vitit 2000, për shkak të shqetësimeve se mund të shtrëngohej ta ndryshonte emrin e tij, duke rrezikuar kështu për rrjedhojë edhe vazhdimësinë e këtij komuniteti, që ka vazhduar të raportojë përndjekje nga qeveria, nga vetë anëtarët e Komunitetit Fetar të Bektashinjve të regjistruar me qeverinë maqedonase, dhe të tjerë.

Grupet e krishtera dhe myslimane thonë se procesi i rikthimit të pronave vazhdon të jetë i ngadaltë dhe jo i plotë. Megjithëse u punua nga qeveria për të zgjidhur disa nga problematikat e akreditimit të shkollave të mesme fetare të drejtuara nga Komuniteti Fetar Mysliman i Maqedonisë së Veriut, çështja nuk u zgjidh, duke ua ndaluar kështu nxënësve regjistrimin në universitetet laike të vendit.

Njohja nëpërmjet kanonizimit nga Partiarku Ekumenik i Kishës Ortodokse të Lindjes, i dha fund një periudhe të gjatë mosnjohjeje të Kishës Ortodokse të vendit, duke i çelur kështu edhe rrugën drejt arritjes së autoqefalisë.

Ambasada amerikane vazhdon të theksojë rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe mban kontakte të rregullta me përfaqësuesit e qeverisë dhe drejtuesit e komuniteteve fetare për të diskutuar çështjet e lirisë së besimit, përfshirë edhe perceptimin për një favorizim nga qeveria maqedonase të disa grupeve të caktuara fetare, apo mënyrën e trajtimit e grupeve më të vogla fetare nga komunitetet kryesore në vend.

Washington Examiner – Gazeta gjermane anulon shkrimin për korrupsionin e shokut shqiptar të Bidenit Nga John Schindler

 

Nga Washington Examiner

Muajt ​​e fundit, Washington Examiner ka raportuar mbi historinë e çuditshme sesi Shqipëria, një aleate e NATO-s për të cilën pak amerikanë mendojnë, është bërë narko-shteti i Evropës gjatë dekadës së fundit. Dhe e ka bërë këtë me tolerancën e veçantë të administratës Biden.

Ajo dekadë përkon me qeverisjen e kryeministrit Edi Rama dhe Partisë së tij Socialiste, të cilat mbeten në favorin e Uashingtonit, pavarësisht përfshirjes së shumë politikanëve shqiptarë në korrupsionin e nxitur nga droga.

Gjërat u ndërlikuan për Tiranën me aktakuzën e janarit nga Departamenti i Drejtësisë për Charles McGonigal, një zyrtar i lartë i FBI-së, i cili ishte mashtrues dhe akuzohet për pastrim parash. Siç ka raportuar ky kontribues, skandali McGonigal, i cili është shumë i turpshëm për FBI-në, ka një këndvështrim të madh shqiptar. Për më tepër, marrëdhënia e McGonigal me Ramën, përfshirë përfshirjen në lëkundjet e supozuara të biznesmenëve shqiptarë për miliona dollarë, ngre pyetje shqetësuese se kush në Uashington e dinte se çfarë po ndodhte.

Kohët e fundit, ky kontribues spekuloi se administrata Biden mund të përgatitet të ndërpresë lidhjet me Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, duke pasur parasysh natyrën gjithnjë e më publike të skandalit McGonigal. Më duket se fola shumë shpejt.

Disa ditë më parë, u kontaktova nga një gazetar i lartë i Bild, një tabloid i madh gjerman. Për të qenë i qartë, Bild bën një raportim serioz dhe është gazeta me tirazhin më të lartë në Evropë. Bild ka raportuar më parë gjëra të turpshme për Ramën, duke përfshirë përgjimet që tregojnë përfshirjen e kryeministrit në blerjen e votave dhe shantazhet.

Isha i lumtur t’u përgjigjesha pyetjeve të Bild për Shqipërinë, bazuar në artikujt e mi në Washington Examiner dhe faktin që isha një ekspert i lartë i Ballkanit për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Konfirmova se Shqipëria, nën drejtimin e Ramës, është bërë narkoshteti kryesor i Evropës me lidhje me interesat e narkotrafikut në të gjithë planetin.

Bild më pyeti edhe për një shqiptar në hije, Dorian Ducka, i cili shfaqet në skandalin McGonigal (Ducka ka shërbyer më parë si zëvendësministër në qeverinë e Ramës). Përgjigja ime: “Ducka është këshilltar i nivelit të lartë i kryeministrit Rama. Ai është i përfshirë në skandalin McGonigal në një mënyrë jo të këndshme. Ai dyshohet se është përfshirë në aktivitete të ngjashme në disa vende, përfshirë Gjermaninë, për llogari të Partisë Socialiste. ”

Asnjë nga këto nuk është lajm për këdo që ndjek nga afër mediat shqiptare (dhe definitivisht nuk është lajm për inteligjencën perëndimore dhe agjencitë ligjzbatuese). Artikulli i Bild ishte planifikuar të dilte drejtpërdrejt këtë fundjavë, në kohën e zgjedhjeve lokale në Shqipëri të dielën – zgjedhje për të cilat opozita pretendon (me marrëveshjen e ekspertëve perëndimorë) janë ndikuar ilegalisht nga Rama dhe miqtë e tij.

Megjithatë, gazetari i Bild më informoi, me habi dhe shqetësim, se redaktorët kryesorë e kishin vrarë historinë (që përfshinte komente nga të tjerë përveç meje, si ekspertë të lartë gjermanë të sigurisë). Kur e pyeta pse, gazetari më informoi se lidershipi i Bild-it shpjegoi se “Uashingtoni qëndron në krah të Ramës” dhe për rrjedhojë, raporti nuk mund të dalë.

Ndikimi i Ramës në Gjermani është real.

Siç zbuloi gazetari, kryeministri shqiptar ka kultivuar – dhe ka të ngjarë të blejë – peizazhin politik dhe mediatik në Gjermani. Zyrtarët e inteligjencës së NATO-s më kanë thënë se Rama në thelb ka blerë politikanë dhe influencues gjermanë.

Me fjalë të tjera, gazeta me tirazhin më të lartë të Gjermanisë, e cila gëzon një reputacion për gazetarinë llafazane, nuk do të publikojë raporte negative për Ramën dhe miqtë e tij që të mos ofendojnë Tiranën – dhe, më e rëndësishmja, Uashingtonin.

Për vite me radhë, ne kemi dëgjuar shumë nga demokratët dhe aleatët e tyre të medias për demokracinë që “vdes në errësirë” mes kërcënimit të tmerrshëm të “dezinformimit”. Megjithatë, kur bëhet fjalë për Shqipërinë, duket se administrata e Biden po ndihmon në censurimin e fjalës së lirë kur kjo është një vështrim i keq për miqtë e tyre. Madje, pra, kur ata miq janë të korruptuar, jodemokratikë dhe të afërt me disa prej organizatave më të këqija të krimit të organizuar në Tokë.

https://www.washingtonexaminer.com/restoring-america/fairness-justice/german-newspaper-cancels-corruption-report-on-bidens-albanian-buddy

Joe dhe Shirley DioGuardi: Senatori Bob Mendez mban seancë dëgjimore me të ftuar Derek Chollet dhe Gabriel Escobar

 

Në një komunikatë për shtypin ish kongresmeni dhe presidenti i LQSHA Joe DieoGuardi dhe Këshilltarja për Çështje të Ballkanit Shirley Cloyes DioGuardi bëjnë me dije sa më poshtë:

“Të dashur miq dhe mbështetës:

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Senatori Bob Menendez, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, po mban një seancë dëgjimore “Vlerësimi i politikës së SHBA-së për Ballkanin Perëndimor” të enjten, më 18 maj, në orën 10:30 para dite, në ndërtesën e Zyrës së Senatit Dirksen 419.

Këtu është lidhja e njoftimit:

https://www.foreign.senate.gov/hearings/assessing-us-policy-towards-the-western-balkans

Dëshmitarë do të jenë i nderuari Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe z. Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Byroja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

Çdo të mirë,

Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështje të Ballkanit     dhe      Joe DioGuardi, Presidenti i LQSHA”

(Video) Senatori Robert Menendez: “Paqja arrihet me njohjen e Kosovës nga Serbia, jo me asociacion një-etnik”

Raporti: Ish-drejtori i USAGM abuzoi me postin, shpërdoroi 1.6 milionë dollarë

Ish-drejtori ekzekutiv i USAGM-it, Michael Pack, gjatë seancës së konfirmimit më 19 shtator 2019

VOA/Jessica Jerreat

UASHINGTON – Drejtori i parë Ekzekutiv i emëruar nga presidenti në krye të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) shkeli rregulloren e brendshme të agjencisë që garanton pavarësinë editoriale, u përfshi në shpërdorim madhor të fondeve publike dhe abuzoi me autoritetin e tij, thuhet në një raport prej 145 faqesh të publikuar të mërkurën nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm. Zëri i Amerikës është pjesë e USAGM-it.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm (OSC) është një agjenci e pavarur, roli i së cilës është të hetojë shkeljet brenda qeverisë federale. Kjo agjenci, sinjalizoi USAGM-in në dhjetor 2020 për një sërë akuzash për shkelje nën drejtimin e zotit Michael Pack dhe kërkoi fillimin e hetimeve. USAGM-i angazhoi për këtë hetim tre ekspertë të pavarur, me përvojë në mbrojtjet, që u garantohen sinjalizuesve të brendshëm, si dhe për gazetarët.

Raporti i ekspertëve, i cili iu paraqit Zyrës së Prokurorit të Posaçëm, gjeti të dhëna për keqmenaxhim madhor në dy raste. Raporti thotë se drejtori ekzekutiv Pack u përfshi në shpërdorim madhor kur shpenzoi 1.6 milionë dollarë fonde për një kontratë të panevojshme me një firmë ligjore private dhe, se nuk respektoi pavarësinë gazetareske dhe integritetin e rrjeteve për të cilat ishte caktuar t’i mbikëqyrte.

Zoti Pack, me bindje politike konservatore, ish-producent filmash dokumentarë, u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në postin e drejtuesit të agjencisë që mbikëqyr gjashtë rrjete të pavarura lajmesh dhe entitete të tjera, ndër ta edhe Zërin e Amerikës. Shtatë muaj pas marrjes së detyrës, ai dha dorëheqjen në janar 2021, me kërkesë të Presidentit Joe Biden.

Raporti i pavarur përqëndrohet në gjashtë fusha, bazuar në ankesat e ardhura nga sinjalizuesit brenda agjencisë.

Tre hetuesit e pavarur zhvilluan 78 intervista, 64 prej të cilave me punonjës dhe ish-punonjës të agjencisë ose rrjeteve të saj. Hetuesit kërkuan të zhvillojnë intervista edhe me zotin Pack dhe 13 zyrtarë të lartë të ekipit të tij politik, si dhe me zyrtarët e emëruar nga zoti Pack si drejtues të këtyre rrjeteve. Kërkesat u refuzuan dhe nuk morën përgjigje, me përjashtim të dy rasteve.

Raporti publikon edhe korrespondencën mes Zyrës së Prokurorit të Posaçëm dhe zotit Pack, kur ai ishte ende në detyrën e drejtorit ekzekutiv, përmes së cilës OSC-ja vuri re se mundësitë e shkeljes së ligjit ishin të mëdha. Raporti thotë se zoti Pack u tha hetuesve se akuzat nuk meritonin të merreshin në konsideratë pasi sinjalizuesit “ishin nisur nga interesa personale”.

Disa nga gjetjet e raportit

Raporti arrin në përfundimin se zoti Pack abuzoi me postin në rastet e mëposhtme:

  • Ai pezulloi padrejtësisht çertifikatat e sigurisë të gjashtë drejtuesve ekzekutivë dhe të një menaxheri “pa patur një arsye legjitime”.
  • U përpoq të hiqte fondet federale që ishin caktuar për Fondin e Teknologjisë së Hapur, që financon punën kërkimore për shmangien e censurës nga qeveritë e huaja.
  • Shkeli Ligjin për Transmetimet Ndërkombëtare duke u përpjekur të ndryshonte aktet nënligjore dhe kontratat e punës të drejtuesve të rrjeteve që emërohen nga drejtori ekzekutiv.
  • Shkeli Ligjin për Privatësinë duke udhëzuar që materialet që kishin të bënin me punonjësit t’u dërgoheshin individëve jashtë agjencisë. Raporti i pavarur vë në dukje se zoti Pack veproi kështu megjithëse një firmë e jashtme ligjore i tha se ky veprim ishte në shkelje të ligjit.

Keqmenaxhimi madhor:

  • Zoti Pack transferoi redaktorin përgjegjës për standardet gazetareske të Zërit të Amerikës, që ishte përgjegjës për ruajtjen dhe zbatimin e rregullave të etikës gazetareske, në një detyrë tjetër. Raporti thotë se me këtë veprim iu ndalua redaktorit që t’i përgjigjej pyetjeve nga gazetarët e Zërit të Amerikës për punën e tyre, si dhe që të organizonte një seminar për rregullat e etikës për raportimin e zgjedhjeve, në muajt e fundit përpara fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
  • Ai shpenzoi 1.6 milionë dollarë fonde për një firmë ligjore që do të hetonte personelin, kur kjo punë mund të ishte bërë nga vetë agjencia federale.
  • Ai ndërmori veprime që nuk ishin në përputhje me detyrimin e përcaktuar në statut që drejtori ekzekutiv të respektojë pavarësinë dhe integritetin gazetaresk të rrjeteve.

Raporti i pavarur: zoti Pack shkeli “ligjet, rregullat dhe rregulloret”, si më poshtë:

  • Një direktivë që kufizoi komunikimet e jashtme të agjencisë, nuk mori parasysh se USAGM-i ka detyrimin ligjor për të informuar Departamentin e Shtetit dhe entitete të tjera.
  • Shkeli Aktin mbi Privatësinë, një ditë përpara se të jepte dorëheqjen, kur një këshilltar i lartë i tij, (emri i të cilit është fshirë në raport), u dha disa personave, që nuk janë pjesë e qeverisë, një material hetimor që lidhej me gjashtë drejtues të agjencisë.
  • Zëvendësi i tij në detyrë, i cili mbulonte çështjet ligjore, zbatimin e rregulloreve dhe menazhimit të riskut, (emri i të cilit është fshirë) ka shkelur rregullat mbi ruajtjen e të dhënave, duke mos ruajtur komunikimet zyrtare, apo duke komunikuar nëpërmjet aplikacioneve me mesazhe të koduara, të cilat zhduken.

Shkelja e Aktit të Privatësisë mund të përbëjë një kundërvajtje që parashikon një dënim me gjobë deri në 5,000 dollarë.

Zyrtarët që kryen hetimet përcaktuan gjithashtu se disa nga ankesat e bëra nga sinjalizuesit, nuk mund të konsideroheshin si raste keqmenazhimi apo abuzimi nga zoti Pack.

Mes tyre përfshihen vendimet për largimin e drejtuesve të rrjeteve të transmetimeve, ndryshimin e anëtarëve të bordit, ngrirja e kontratave të punës, apo edhe e punësimeve e reja, përdorimi për qëllime të tjera i fondeve të Kongresit, si dhe refuzimi për të miratuar, apo përtërirë vizat J-1, për gazetarët e huaj që punojnë për agjencinë.

Në rastin e vizave, raporti i pavarur vë në dukje se zoti Pack dështoi të merrte në konsideratë ndikimin që do të kishin veprimet e tij në aftësinë e Zërit të Amerikës për të raportuar lajmet në disa gjuhë. Ai nuk ofroi asnjë alternativë të mundshme për punësimin e gazetarëve të huaj. Ndërsa ishte ende në detyrë, zoti Pack kishte premtuar të shpjegonte se mbi çfarë baze e mori vendimin, gjë që megjithatë nuk e bëri asnjëherë. Zoti Pack nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës të mërkurën për të komentuar lidhur me këtë artikull.

David Seide, këshilltar i lartë në organizatën mbi Llogaridhënien e Qeverisë, një organizatë jofitimprurëse që mbron sinjalizuesit, e cila përfaqësonte rreth 30 të tillë, kur zoti Pack mbante detyrën e shefit ekzekutiv të USAGM-it, vë në dukje natyrën e paanshme, dypartiake të zyrës së Prokurorit të Posaçëm dhe e cilëson raportin si “befasues për nga shtrirja e tij”.

Zoti Seide tha se raporte të kësaj natyre, janë kaq të thellë dhe hyjnë në kaq shumë detaje “kur Zyra e Prokurorit të Posaçëm e di se integriteti i organizatës që po hetohet është në rrezik dhe kur duhet t’i dëshmohet botës se po bëhen përpjekje për ta trajtuar çështjen me paanashmëri e duke bërë një analizë objektive”.

Ndërsa e quajti raportin shterues, zoti Seide tha se sipas tij duhet bërë akoma më shumë, duke përfshirë referimin e disa çështjeve tek Departamenti i Drejtësisë për hetime të mëtejshme.

Në një deklaratë të mërkurën, shefja ekzekutive aktuale e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Amanda Bennett, përshëndeti procesin e hetimit dhe rezultatet e tij.

“Kur u bëra drejtoreshë ekzekutive në tetor të vitit 2022, u zotova të përqendrohem në misionin e USAGM-së, si një nga operacionet më të mëdha globale të medias në botë, me një mur të fortë editorial ndarës dhe standardet më të larta gazetareske”, tha zonja Bennett, një gazetare veterane, që ka drejtuar më parë Zërin e Amerikës.

Drejtorja ekzekutive e USAGM-it, Amanda Bennett gjatë një dëshmie në Kongres më 9 mars 2023

Drejtorja ekzekutive e USAGM-it, Amanda Bennett gjatë një dëshmie në Kongres më 9 mars 2023

“Agjencia ka ndërmarrë një sërë veprimesh korrigjuese dhe reformash, për të trajtuar shumë nga çështjet e identifikuara nga ekipi i pavarur i hetimit. Ne do ta vazhdojmë këtë punë”, tha ajo.

Në një letër drejtuar Presidentit Biden, që shoqëron publikimin e raportit, drejtori i Zyrës së Prokurorit të Posacëm Henry J. Kerner thotë se “raporti vërtetoi kryesisht veprimet thellësisht shqetësuese, të zbuluara nga sinjalizuesit. Megjithatë, jam i inkurajuar nga hapat që ka ndërmarrë agjencia për të kryer detyrat e saj dhe për të vendosur në vend reputacionin”.

Çështje besimi

Raporti përshkruan në mënyrë të detajuar se si zoti Pack dhe ekipi i tij besonin se punonjësit në rrjetet e lajmeve të financuara nga Kongresi, ishin të njëanshëm dhe të pabesueshëm.

Ekipi që ndihmonte zotin Pack hartoi një listë ku përfshiheshin disa zyrtarë të lartë të agjencisë federale, që duheshin shkarkuar, duke i cilësuar ata si përfaqësues të të ashtuquajturit “shtet i fshehtë”, të cilët “nuk ishin të besueshëm”.

Zoti Pack mori veprime konkrete ndaj disa prej këtyre individëve “pa bazë ligjore” pasi ata kishin sinjalizuar shkelje të mundshme, sipas raportit.

Më 5 qershor të vitit 2020, zoti Pack u takua me një zyrtar, emri i të cilit nuk identifikohet në raport, i cili kishte përpiluar një listë të personave që duheshin larguar”.

Në këtë dokument dhe në disa email-e që pasuan, zyrtari kishte përfshirë lidhje të dyshuara politike të këtyre personave duke i shoqëruar me komente të tilla si “eleminoni të gjithë ekipin anti-Trump”, “urren republikanët dhe Trump-in” apo: “nuk është në ekipin Trump”.

Disa nga shqetësimet më të mëdha gjatë kohës kur zoti Pack udhëhiqte USAGM-në lidhen me përpjekjet për të shfuqizuar rregulloren e brendshme që garanton pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës, duke e mbrojtur nga ndërhyrjet politike.

Në nëntor të 2020-s një gjykatës federal lëshoi një urdhër paraprak që ndalonte zyrtarët të ndërhynin në pavarësinë editoriale dhe të drejtat që gëzojnë gazetarët e Zërit të Amerikës bazuar në Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

Duke i bërë një vlerësim dështimit të zotit Pack për të respektuar pavarësinë editoriale, në raportin e pavarur, citohen veprimet e tij kontradiktore. Zoti Pack udhëzoi një të emëruar politik, që të hetonte një video të Shërbimit Urdu, të Zërit të Amerikës, e cila shihej si me qasje partiake, por nuk ndërmori asnjë veprim, kur u njoftua se Zyra e Transmetimeve për Kubën, i dha një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, një material (filmik), lidhur me një grup, që mbështeste presidentin e atëhershëm (zotin Trump). Zyrtari ia dërgoi materialin me email një audience të brendshme amerikane, dy muaj para zgjedhjeve të 2020-s. Sipas rregullave të agjencisë gazetarët e USAGM-së kanë detyrimin të marrin të gjitha masat që përmbajtja e materialeve të tyre të mos shpërndahen për audiecat e brendshme.

Zoti Pack gjithashtu dështoi të ndërmerrte veprime ose të ndërhynte kur kreu i sapoemëruar prej tij, i Zërit të Amerikës, Robert Reilly, u hakmor kundër korrespondentes së Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, pasi ajo i bëri “një pyetje logjike Sekretarit të Shtetit”. Zoti Reilly e kishte ftuar sekretarin e atëhershëm Mike Pompeo, të merrte pjesë në një seancë pyetje-përgjigjesh në Zërin e Amerikës, por ai nuk i bëri zotit Pompeo, asnjë nga pyetjet që kishin paraqitur gazetarët e agjencisë. Më pas, zonja Widakuswara i bëri një pyetje zotit Pompeo, teksa ky i fundit po largohej nga ndërtesa e Zërit të Amerikës.

Dje u shpall fajtor për abuzim seksual, ish presidenti Trump shfaqet sot në rrjetin CNN

VOA/Marrë nga Associated Press

Këtë të mërkurë, ish presidenti Donald Trump do të kthehet në valët televizive të rrjetit CNN. Ai do të shfaqet në CNN gjatë një forumi publik 2 orësh në shtetin e Nju Hemshër, i cili pritet të mbizotërohet nga diskutimi mbi zgjedhjet presidenciale.

Dalja e Trumpit në CNN vjen vetëm një ditë pasi një juri civile e Nju Jorkut e shpalli atë fajtor për abuzim seksual ndaj ish-gazetares dhe shkrimtares E. Jean Carrol, rreth tri dekada më parë.

Forumi, zhvillimi i të cilit u bë i ditur për publikun javën e kaluar, pritet të ngjallë interes të madh, pasi bashkon dy palët, rrjetin televiziv dhe kandidatin për president, që prej një kohe të gjatë kanë shkëmbyer kritika dhe kanë patur kundërshti.

Por vëmendja u shtua edhe më shumë të martën, pas vendimit unanim të një jurie prej 9 anëtarësh të Nju Jorkut, se ish-Presidenti është përgjegjës për abuzim seksualisht ndaj zonjës E. Jean Carroll dhe më pas ka dëmtuar reputacionin e saj, duke e quajtur gënjeshtare, por juria rrëzoi pretendimet e saj se ai e kishte përdhunuar. Juria vendosi që zoti Tramp t’i paguajë zonjës Carroll një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh.

Ndonëse vendimi për këtë çështje civile, nuk parashikon dënim sipas kodit penal, ai risjell në vëmendje numrin e madh të hetimeve me të cilat po përballet zoti Trump.

Në muajin mars, juria e madhe e Manhatanit votoi për ngritjen e 34 padive penale ndaj tij për falsifikim të të dhënave të biznesit në Nju Jork, për pagesa të fshehta për një aktore të filmave pornografikë, e cila pretendon se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore me të.

Ai përballet gjithashtu me hetime të tjera në shtetin e Xhorxhias dhe në Uashington lidhur me dyshimet për ndërhyrjet e tij në zgjedhjet presidenciale të 2020.

Prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith po kryen hetime mbi rrethanat e mbajtjes së dokumenteve të klasifikuara nga ish-Presidenti Trump në shtëpinë e tij, pas largimit nga detyra, si dhe për pengim të mundshëm të drejtësisë.

Po ashtu, kjo ngjarje rikthen vëmendjen mbi pikëpyetjet rreth mënyrës së trajtimit të grave, ndër vite, nga zoti Trump, duke shtuar pritshmëritë se ai do të detyrohet t’u përgjigjet pyetjeve të vështira të gazetares së CNN-it Kaitlan Collins, e cila do drejtojë diskutimin, si dhe të audiencës.

E. Jean Caroll është njera, prej më shumë se 12 grave që ndër vite, kanë akuzuar zotin Trump për ngacmim apo abuzim seksual, pretendime që ai i ka mohuar.

Historikisht, zoti Trump nuk ka ka patur reagime të mira kur është vënë në trysni për mënyrën e sjelljes ndaj grave; rasti më i njohur është ai i vitit 2015, gjatë debatit të parë të kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale, ku zoti Trump u përplas me drejtuesen televizive në atë kohë të rrjetit Fox News, Megyn Kelly, duke bërë komente fyese ndaj saj.

Marrëdhëniet e zotit Trump me televizionin CNN janë më kundrathënëse se ato që ai ka patur në atë kohë me televizionin Fox News .

Zoti Trump e ka cilësuar CNN-in si “rrjet lajmesh të rreme” dhe ka bërë sulme personale ndaj gazetares Collins. Në një rast, asaj iu ndalua të merrte pjesë në një ngjarje të hapur për median, në Shtëpinë e Bardhë, pasi ekipi i zotit Trump u zemërua nga disa pyetje me zë të lartë, që ajo kishte bërë në një veprimtari të mëparshme në Zyrën Ovale.

Megjithatë, ekipi i zotit Trump e vlerësoi ftesën e televizionit CNN si një mundësi për t’iu qasur një rrjeti më të gjerë votuesish, veç atyre që ndjekin platformat televizive që mbështesin zotin Trump.

“Presidenti Trump është vënë në provë dhe ka fituar. Ai nuk i shmanget asgjëje, por përballet me gjithçka”, tha zëdhënësi i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung.

Paraqitja do të shërbejë gjithashtu edhe për të pasqyruar një tjetër kontrast me guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili shihet si kundështari kryesor republikan i zotit Trump dhe që pritet që të nisë fushatën në javët e ardhshme.

Zoti DeSantis përgjithësisht i është shmangur mediave kryesore, por ka qenë i hapur ndaj rrjetit Fox News, që dikur përfaqësonte një media besnike të zotit Trump, por që tani ish presidenti e kritikon vazhdimisht.

Si kundërpërgjigje, ekipi i zotit Trump e ka kthyer vëmendjen ndaj mjeteve të reja të komunikimit, përfshirë podcast-e mjaft të dëgjuara nga republikanët, apo video për përdorim në mediat sociale që shpesh herë shihen nga mijëra përdorues.

Po ashtu, gazetarë nga një sërë mediash janë ftuar të udhëtojnë me avionin e tij. Ekipi ka organizuar një seri ndalesash që nuk janë bërë publike, në restorante lokale dhe vende të tjera, për të treguar se si ai ndërvepron me mbështetësit e tij, në dallim nga zoti DeSantis, që ngjall më pak frymëzim.

Mbetet e paqartë se si, apo nëse vendimi i ditës së martë, do të ketë ndonjë ndikim në garën presidenciale.

Ngritja e akuzave penale ndaj ish presidentit Trump në Nju Jork duket se deri tani ka përmirësuar pozicionin e tij tek republikanët, ndërsa kundërshtarët e tij kryesorë, i shmangën komentet të martën në mbrëmje, me disa përjashtime të vogla.

Ish-guvernatori i shtetit të Arkansasit, republikani Asa Hutchinson, një kritik i zëshëm i zotit Trump, i cilësoi akuzat “një tjetër shembull të sjelljes së pajustifikueshme të Donald Trumpit”.

Sipërmarrësi në fushën e teknologjisë Vivek Ramaswamy i doli në mbrojtje ish presidentit dhe ngriti dyshime, nëse rasti do të ishte gjykuar, nëse personi i akuzuar nuk do të kishte qenë Donald Trumpi.

Megjithatë, edhe përpara vendimit të djeshëm, bashkëbisedimi me qytetarët, që do transmetohet drejpërdrejt në CNN, ngjarja më e madhe televizive mbi zgjedhjet presidenciale të 2024, ka nxitur mëdyshje tek mbështetësit e të dy kaheve politike.

Demokratët kanë ngritur pikëpyetje nëse duhej t’i jepej hapësirë në kohën me të ndjekur televizive të rrjetit CNN njeriut që vazhdon të ngrejë pretendime të pavërtetuara për humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Republikanët nga ana tjetër pyesin se përse zoti Trump do të shfaqet në CNN, duke shtuar mundësitë për rritjen e besueshmërisë së rrjetit televiziv, të cilin ai zakonisht e ka shpërfillur duke e cilësuar si “rrjet i lajmeve të rreme”.

Një këshilltar i zotit Trump, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe foli në kushte anonimiteti, tha se drejtuesit e televizionit CNN arritën ta bindnin ish-presidentin gjatë negociatave.

Këshilltari gjithashtu vuri në dukje se zoti Trump shënoi sukses në vitin 2016 duke dalë edhe në media të tjera, veç atyre ku tradicionalisht dalin republikanët.

Përmes një një deklarate të postuar para vendimit të jurisë së Nju Njorkut, ish-presidenti u shpreh se televizioni CNN ishte “me të drejtë i dëshpëruar” që ai të dilte në ekranin e tij.

“Ata më bënë një ofertë, që nuk mund ta refuzoja!” shkroi ai në platformën Truth Social. “Mund të jetë fillimi i një CNN të ri, jo më me lajme të rreme, ose mund të kthehet në një katastrofë për të gjithë, duke përfshirë edhe mua. Le të shohim se çfarë do të ndodhë? Mbrëmjen e së mërkurës në orën 20:00!!!”

Ligjvënësi George Santos arrestohet nën akuzat për mashtrim dhe pastrim parash

VOA/Marrë nga Reuters

Ligjvënësi republikan George Santos u arrestua të mërkurën nën akuzat federale për mashtrim, pastrim parash dhe vjedhje të fondeve publike. Ligjvënësi Sanot u ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen për gënjeshtra në rezymenë e tij.

Aktakuza me 13 pika, e publikuar të mërkurën, akuzon 34 vjeçarin Santos për mashtrimin të mbështetësve të mundshëm politikë duke pastruar fonde për të paguar shpenzimet e tij personale dhe duke marrë në mënyrë të paligjshme përfitime papunësie ndërsa ai ishte i punësuar.

Ai akuzohet gjithashtu se ka bërë deklarata të rreme në Dhomën e Përfaqësuesve për pasuritë, të ardhurat dhe borxhet e tij.

“Të marra së bashku, akuzat e ngarkojnë zotin Santos se u mbështet në pandershmëri dhe mashtrime të përsëritura për t’u bërë anëtarë i Kongresit dhe për t’u pasuruar”, tha në një deklaratë Breon Peace, Prokuror i Distriktit Lindor të Nju Jorkut.

“Ai përdori kontribute financiare politike për të mbushur xhepat e tij, aplikoi në mënyrë të paligjshme për përfitimet e papunësisë që duhej t’u shkonin njujorkezëve që kishin humbur punën për shkak të pandemisë dhe gënjeu Dhomën e Përfaqësuesve”, tha prokurori Peace.

Zyra e ligjvënësit Santos ia referoi kërkesat për koment avokatit të tij. Avokati i zotit Santos nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment në lidhje me aktakuzën.

Ligjvënësit republikanë, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi të ngushtë 222-213, kanë thënë deri më tani se do të nuk do bëjnë komente për zotin Santos. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy u tha gazetarëve të mërkurën: “Në Amerikë, ju jeni i pafajshëm derisa të provohet faji”.

Menjëherë pas zgjedhjes së ligjvënësit Santos në vitin 2022 për të përfaqësuar një zonë të pasur në Long Island të Nju Jorkut, gazeta Nju Jork Tajms dhe media të tjera zbuluan se ai kishte sajuar pothuajse çdo aspekt të historisë së tij personale dhe profesionale.

Ndër pretendimet e tjera, zoti Santos tha se ai kishte diploma nga Universiteti i Nju Jorkut dhe Kolegji Baruch, pavarësisht se asnjë institucion nuk kishte të dhëna se ai ishte regjistruar si student. Ai pretendoi se kishte punuar në kompanitë Goldman Sachs dhe Citigroup, gjë që gjithashtu ishte e pavërtetë.

Ai ka deklaruar në mënyrë të rreme se ishte hebre dhe se gjyshërit e tij u shpëtuan nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Santos, i cili identifikohet si homoseksual, gjithashtu fshehu faktin se ishte i martuar me një grua për disa vite duke e përfunduar martesën në 2019.

Që atëherë ai ka pranuar se ka sajuar pjesë të mëdha të biografisë së tij.

Verdikti i jurisë: Trump ka abuzuar seksualisht me shkrimtaren E. Jean Carroll

VOA

Zoti Donald Trump e ka abuzuar seksualisht ish-gazetaren dhe shkrimtaren E. Jean Carroll dhe më pas ka dëmtuar reputacionin e saj duke e quajtur gënjeshtare, në këtë përfundim dolën të martën 9 anëtarët e jurisë së Nju Jorkut, pasi peshuan për rreth tre orë argumentet dhe faktet lidhur me një padi civile kundër ish-presidentit.

Juria i hodhi poshtë pretendimet e zonjës Carroll se ajo ishte përdhunuar, por e gjetën zotin Trump përgjegjës për abuzim seksual dhe për shpifje ndaj zonjës Carroll pasi ajo i bëri publike akuzat e saj.

Ky i fundit pritet t’i paguajë zonjës Carroll një dëmshpërblim prej 5 milionë dollarësh.

Vendimi i jurisë vjen në një kohë kur zoti Trump po zhvillon fushatën për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Juria e përbërë nga gjashtë burra e tre gra mori një vendim unanim lidhur me rastin.

Ish-gazetarja dhe shkrimtarja E. Jean Carroll e akuzoi zotin Trump për përdhunim. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në një dyqan luksoz në Manhatan në vitin 1996.

Por zoti Trump e ka mohuar një gjë të tillë duke i cilësuar akuzat mashtrim. Ditën e hënë, gjatë paraqitjes së argumenteve mbyllëse, avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, tha se historia e zonjës Carroll është shumë e dyshimtë për t’u besuar. Sipas zotit Tacopina, ajo e ka sajuar ngjarjen me qëllimin për të shitur një libër me kujtime të publikuar në vitin 2019, si dhe për të denigruar politikisht zotin Trump. Por të martën juria vendosi në favor të shkrimtares.

Në klimën e polarizuar politike që ekziston në vend, duket e pamundur që verdikti i jurisë të ketë ndikim tek mbështetësit kryesorë të zotit Trump, të cilët i shohin sfidat e tij ligjore, si pjesë të një përpjekjeje të bashkërenduar nga kundërshtarët e tij, për ta dëmtuar atë.

Zoti Donald Trumpi i ka quajtur pretendimet e shkrimtares se ai e kishte përdhunuar në një dyqan në Manhattan në mesin e viteve 1990, “historinë më qesharake dhe më të neveritshme”.

Komentet e tij u bënë në një deklaratë të paraqitur në gjykatë javën e kaluar. Ish-presidenti tha se akuzat ishin “të sajuara” dhe se sulmi nuk ndodhi kurrë. Avokatët e akuzueses E. Jean Carroll luajtën për rreth 30 minuta pjesë nga deponimi i zotit Trump, duke përfshirë mohimin e prerë të tij se e sulmoi atë në mesin e viteve 1990 në një dhomë zhveshjeje të dyqanit Bergdorf Goodman.

“Nëse do të kishte ndodhur, do të ishte raportuar brenda pak minutash,” thotë zoti Trump në deponimin e tij, duke pretenduar se blerësit dhe punonjësit në “dyqanin shumë të ngarkuar” do të kishin dëgjuar sulmin dhe do të kishin njoftuar autoritetet.

SHBA- Jepen çmimet Pulitzer, vlerësohen veprat për Ukrainën

 

Evgeniy Maloletka

Çmimi më prestigjioz për gazetarët e AP – NYT dhe Washington Post ndër më të mirët

 

VOAL- Gazetarët ukrainas të Associated Press (AP) Mstyslav Chernov, Evgeniy Maloletka, Vasilisa Stepanenko dhe Lori Hinnant kanë fituar çmimin Pulitzer në kategorinë e shërbimit publik, më prestigjiozi nga të gjithë. Njohja shkoi për raportet e tyre “të guximshme” të bëra në Mariupol, ku “ata ishin dëshmitarë të masakrës së civilëve gjatë pushtimit rus të Ukrainës”. AP fitoi edhe çmimin Pulitzer për mbulimin fotografik të realizuar gjithmonë gjatë konfliktit dhe mbi të gjitha në Mariupol, “imazhe unike dhe urgjente, pasi gazetat e tjera ishin larguar”.

Stafi i New York Times (NYT) mori gjithashtu një çmim (“Raportimi Ndërkombëtar”) për “mbulimin e tyre të dëmshëm të pushtimit rus të Ukrainës, duke përfshirë një hetim tetë-mujor për vdekjet e Ukrainës në qytetin Bucha dhe njësinë ruse përgjegjëse për vrasjet”.

NYT fitoi një Pulitzer për raportin e ilustruar dhe të shënuar të caktuar për kontribuesin Mona Chalabi, “për ilustrime mahnitëse që kombinojnë raportimin statistikor me analizën e thellë për të ndihmuar lexuesit të kuptojnë pasurinë e pamasë dhe fuqinë ekonomike të themeluesit të Amazon Jeff Bezos. “.

Dy Pulitzer gjithashtu në Washington Post, Los Angeles Times dhe faqen Al.Com në Birmingham. Gazeta “Capital” ka fituar njohjen për raportimin kombëtar me Caroline Kitchener (në lidhje me shfuqizimin e vendimit të abortit Roe kundër Wade) dhe shkrimin e veçantë me Eli Saslow (me artikuj ndjellës mbi njerëzit që luftojnë me vetminë pandemike, varësinë nga droga dhe pabarazinë).

Çmimi për letërsinë artistike

Këtë vit, në një vendim të pazakontë, por jo të paprecedentë, çmimi i fiksionit shkoi për dy libra: “Demon Copperhead” nga Barbara Kingsolver dhe “Trust” nga Hernan Diaz. Dhe ndërsa libri “His Name Is George Floyd: One Man’s Life and the Struggle for Racial Justice”, nga Robert Samuels dhe Toluse Olorunnipa (Viking), doli vetëm si finalist në kategorinë e biografisë, vëllimi fitoi Pulitzer në Kategoria e Përgjithshme Nonfiction, gati tre vjet pasi afrikano-amerikani u vra. rsi-eb

Shefja e USAID-it, Samantha Power do të qëndrojë në Serbi dhe në Kosovë në përpjekje për të ulur tensionet

VOA/Marrë nga Associated Press

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, do të qëndrojë në Serbi dhe në Kosovë këtë javë për t’u takuar me udhëheqësit e të dyja vendeve, ndërsa diplomatët amerikanë dhe evropianë punojnë për të stabilizuar marrëdhëniet midis këtyre dy ish armiqve të kohës së luftës, në një kohë tensionesh të rritura.

Zonja Power bëhet kësisoj udhëheqësja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.

Serbia dhe Kosova kanë marrëdhënie shpesh armiqësore që nga ndarja e Kosovës nga Serbia në fund të Luftës së Ftohtë. Fërkimet midis Serbisë dhe Kosovës, e cila ka një shumicë etnike shqiptare dhe një pakicë etnike serbe, janë rikthyer mes tensioneve të përgjithshme, që nga agresioni i Rusisë në Ukrainë, vitin e kaluar.

Zonja Power do të takohet me kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve, për t’i inkurajuar të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo “do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimit demokratik”, tha USAID në një deklaratë.

Zonja Power do të jetë zyrtari i parë i lartë i qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon, që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i inkurajuar ata që t’i përkushtohen dialogut paqësor.

Bashkimi Evropian ka shpenzuar 12 vjet duke lehtësuar negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia nuk e njeh shtetësinë e saj.

Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të ulur tensionet midis dy kryeqyteteve, posaçërisht vitin e kaluar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Lufta në Kosovë shpërtheu kur shqiptarët etnikë ngritën krye kundër sundimit serb dhe Serbia u përgjigj me një shtypje brutale. Rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, u vranë. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s përfundimisht e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori i Kosovës.

Zonja Power gjithashtu do të takohet në Serbi dhe Kosovë me pjesëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesesh, gazetarë dhe të tjerë, duke përfshirë ish-lojtarin serb të NBA-së Vlade Divac dhe sportistë me aftësi të kufizuara.

SHBA mohon se organizoi sulmin në Kremlin

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara i mohuan pretendimet ruse, sipas të cilave, ato organizuan një sulm me dron, që goditi të mërkurën ndërtesën e Kremlinit, me qëllim vrasjen e presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmit të supozuar, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ai është realizuar me mbështetjen e Uashingtonit.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se ky është një “pretendim qesharak”.

Ukraina tha se nuk ka asnjë lidhje me sulmin e supozuar. Putin, në atë kohë, nuk ishte në ndërtesë.

Sipas Kievit, Moska e inskenoi incidentin për ta përshkallëzuar luftën e saj në Ukrainë.

Pamje që tregojnë një objekt fluturues duke iu afruar ndërtesës së Kremlinit, 3 maj 2023.

Pamje që tregojnë një objekt fluturues duke iu afruar ndërtesës së Kremlinit, 3 maj 2023.

Peskov tha se sulmi në Kremlin – një kompleks i madh qeveritar në qendër të Moskës – ndodhi të mërkurën herët.

Pamjet e postuara në mediat sociale, treguan shtëllunga tymi mbi ndërtesë.

Peskov tha të enjten se SHBA-ja qëndron “pa dyshim” pas sulmit të supozuar, por nuk solli ndonjë provë.

“Vendimet për sulme të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington”, tha Peskov.

Duke iu përgjigjur akuzave, Kirby u tha mediave amerikane se “Peskov, thjesht, gënjen”.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me të. Ne as nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në të”, tha Kirby.

Ai shtoi se Uashingtoni as nuk e inkurajoi, as nuk i mundësoi Ukrainës të godiste jashtë kufijve të saj, dhe nuk miratoi sulme kundër udhëheqësve individualë.

Ukraina tha se sulmi i supozuar ishte një operacion i rremë nga Moska, por, sipas disa vëzhguesve, Rusia nuk ka interes të organizojë sulme të atilla që e bëjnë Kremlinin të duket i cenueshëm.

Pretendimet e fundit të Kremlinit erdhën në ditën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Në një fjalim më pas, Zelensky bëri thirrje për krijimin e një gjykate të posaçme, që do ta mbante Rusinë “përgjegjëse për krim të agresionit” në Ukrainë.

Ai tha se Putin “e meriton të dënohet për veprime kriminale në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar tashmë urdhërarrestim për presidentin rus, Putin, për krime të dyshuara lufte në Ukrainë. Sipas gjykatës, ai mund të jetë përgjegjës për krime të luftës që përfshijnë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Por, gjykata nuk ka mandat për ndjekjen penale të krimit të agresionit.

Krimi i agresionit nënkupton planifikim, nisje ose ekzekutim të një akti të agresionit në shkallë të gjerë, duke përdorur forcën ushtarake shtetërore.

Përgatiti: Valona Tela

Ish-gazetarja që ka paditur zotin Trump thotë se shumë nga brezi i saj nuk i raportonin përdhunimet

VOA/Marrë nga Associated Press

NJU JORK – Autorja e artikujve të revistave që thotë se Donald Trump-i e përdhunoi në dhomën e veshjes të një dyqani rrobash dy dekada përpara se ai të bëhej president, pranoi të hënën se nuk pati ndjekur vetë këshillat e saj për lexuesit, ku u sugjeronte atyre që t’i raportonin sulmet seksuale në polici.

E. Jean Carroll i tha jurisë së gjykatës federale në Manhatan se ajo lindi në vitin 1943 dhe ishte “anëtare e një brezi të heshtur”, të cilët i kishin mësuar “ta mbanin kokën lart dhe të mos ankoheshin”. Ajo tha se i kishte telefonuar policisë vetëm një herë në jetën e saj, për mundësinë e dëmtimit të kutisë postare të shtëpisë ku ajo banonte gjatë festës së Hallouinit.

Zonja Carroll foli kështu për perceptimin e saj për t’iu drejtuar policisë, ndërkohë që avokati i zotit Trump, Joe Tacopina, i paraqiti asaj gjatë seancës së pyetjeve rastet kur ajo kishte këshilluar lexuesit e revistës Elle që të kontaktonin policinë apo të merrnin tek numri i telefonit i caktuar për personat që bëhen viktima të sulmeve.

Avokati Joe Tacopina

Avokati Joe Tacopina

“Fakti që nuk shkova ndonjëherë në polici nuk është befasues për dikë në moshën time”, tha ajo. “Nuk na mësonin që të merrnim në telefon policinë, kurrë”.

Zonja Carroll, e cila po dëshmon për të tretën ditë në gjyqin për padinë civile të paraqitur nga ajo në muajin nëntor, ka thënë se zoti Trump e ka përdhunuar në pranverën e vitit 1996 në një dyqan luksoz në Manhatan, pasi shkuan së bashku tek dhoma e veshjes në formë flirtimi dhe duke qeshur, deri në momentin kur zoti Trump ishte bërë i dhunshëm. Ajo tha se më pas e pati shtyrë me gjunjë dhe ishte larguar.

Ish-Presidenti Trump, tashmë në moshën 76 vjeçare, ka mohuar të ketë ndodhur përdhunimi, apo të ketë qenë në dyqan me zonjën Carroll, apo ta ketë njohur atë përtej momenteve kur janë fotografuar si pjesë e një grupi në periudha të tjera. Ai nuk ka marrë pjesë në procesin gjyqësor, që pritet të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave.

Dëshmia më e re e zonjës Carroll erdhi menjëherë pasi avokati Tacopina i kërkoi gjyqtarit Lewis A. Kaplan, i cili po mbikëqyr procedurat civile në gjykatën federale, të shpallte ndaljen e procesit gjyqësor për shkak të vendimeve që ai mori që avokati Tacopina tha se favorizonin zonjën Carroll.

Gjykatësi duket se e refuzoi kërkesën përpara se të rifillonte dëshmia të hënën, duke e pyetur avokatin Tacopina nëse mocioni që gjeti në tryezën e tij në mëngjes ishte depozituar.

“Tani është refuzuar. Dakord, sillni jurinë”, tha Gjykatësi Kaplan.

Zonja Carroll ngriti një padi kundër zotit Trump sipas një ligji të shtetit të Nju Jorkut që i lejon viktimat e sulmeve seksuale të padisin përkohësisht të tjerët për sulme që kanë ndodhur edhe dekada më parë.

Mes një morie mohimesh dhe fyerjesh publike nga ish-Presidenti Trump që e shtynë zonjën Carroll të shtojë në padi edhe një akuzë për shpifje, zoti Trump ka këmbëngulur se zonja Carroll ishte e motivuar nga arsye politike dhe nga një dëshirë për të shitur kopje të kujtimeve të vitit 2019, ku ajo zbuloi për herë të parë publikisht pretendimet e saj për përdhunim, ndërsa zoti Trump ishte në detyrën e presidentit.

Zonja Carroll ka dëshmuar se do ta kishte mbajtur përgjithmonë të fshehtë akuzën e saj nëse nuk do të kishte lindur lëvizja #MeToo, e cila fitoi rëndësi në vitin 2017.

E. Jean Carroll

E. Jean Carroll

Gjatë dëshmisë të enjten, zonja Carroll u zemërua ndërsa avokati Tacopina e pyeste për mënyrën se si ajo pretendon se reagoi ndaj sulmit nga klienti i tij.

“Nuk mund të më ndëshkosh sepse nuk bërtita”, i tha zonja Carroll me forcë avokatit Tacopina. Ajo kishte shpjeguar në dëshminë e mëparshme se “nuk ishte një person që bërtet – jam një luftëtare”.

Ajo tha se nëse do të gënjente për sulmin, do t’u kishte thënë njerëzve se kishte bërtitur sepse “më shumë njerëz do të më kishin besuar”.

Por, ajo theksoi se “nuk kam nevojë për një justifikim pse nuk bërtita”.

Në kërkesën e tij të hënën për ndaljen e procesit gjyqësor, avokati Tacopina u ankua se Gjykatësi Kaplan e refuzoi pyetjet drejtuar zonjës Carroll që ajo të shpjegonte pse nuk bërtiti, përse nuk i tregoi policisë, ose përse nuk u përpoq më pas të merrte pamjet nga kamerat në dyert e dyqanit për të provuar se ajo dhe zoti Trump kishin qenë atje së bashku.

Yellen: SHBA do të arrijnë kuotën maksimale të borxhit më 1 qershor

VOA/Marrë nga Associated Press

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen njoftoi Kongresin të hënën se Shtetet e Bashkuara pritet të arrijnë kuotën maksimale të borxhit më 1 qershor, nëse ligjvënësit nuk e rrisin tavanin e borxhit para kësaj date.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, Sekretarja Yellen i kërkoi Kongresit “të mbrojë besimin e plotë dhe kredinë e Shteteve të Bashkuara duke vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur” për të rritur tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh.

“Ne kemi mësuar nga ngërçet e kaluara të tavanit të borxhit se pritja deri në minutën e fundit për të rritur tavanin e borxhit mund të shkaktojë dëm serioz në besimin e biznesit dhe konsumatorit, mund të rrisë kostot afatshkurtra të huamarrjes për taksapaguesit dhe mund të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në letrën e saj për udhëheqësit e Kongresit.

Departamenti i Thesarit tha të hënën se planifikon të rrisë nivelin e huamarrjes gjatë tremujorit prill-qershor të këtij viti, edhe pse qeveria federale është afër shkeljes së tavanit të borxhit.

Ndërsa pushtimi rus i Ukrainës mbetet një barrë për rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, zyrtarët e Departamentit të Thesarit thonë se debati mbi tavanin e borxhit përbën rrezikun më të madh për pozicionin financiar të vendit.

Eric Van Nostrand, ndihmës sekretar në detyrë për politikat e ekonomisë, tha përmes një deklarate se “edhe nëse Kongresi përfundimisht vendos ta rrisë tavanin e borxhit përpara skadimit të afatit, pasiguria e shkaktuar nga vonesat mund të rrisë kostot e huamarrjes dhe të nxisë strese të tjera financiare që do të dobësonin tregun tonë të punës dhe pozicionin tonë në botë.”

Në janar, Sekretarja Yellen u dërgoi një letër udhëheqësve të Kongresit, duke deklaruar se Departamenti i Thesarit kishte filluar të përdorte “masa të jashtëzakonshme” për të shmangur një situatë, në të cilën qeveria federale nuk do të ishte në gjendje të përmbushte detyrimet e saj financiare. Ajo tha se është “kritike që Kongresi të veprojë në kohën e duhur” për të rritur tavanin e borxhit.

Chollet bisedon me Kurtin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë

VOA

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të hënën në mbrëmje se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rëndësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin pritet të diskutohet të martën në mbrëmje në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë politik, Kosovë – Serbi.

Zoti Chollet shkroi në Twitter se pati “një bisedë shumë të mirë me kryeministrin Kurti për takimin e 2 majit mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Kryeministri Kurti shkroi ndërkaq se me zotin Chollet është diskutuar rendi i ditës së takimit të së martës, ndërsa theksoi rëndësinë që marrëveshja bazë dhe pajtimi për zbatimin e saj “duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim”.

Të martën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pritet të takohen në Bruksel në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Takimi që pritet të mbahet në orët e mbrëmjes është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian tha se pret që palët “të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi dhe diskutimi mbi projekt statutin e Asociacionit t ë Komunave me shumicë Serbe.

Projekt statuti thuhet të jetë harruar nga një ekip menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e të cilëve një deputete në parlamentin e Serbisë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha javën e kaluar se mos raportimi nga ana e ekipit menaxhues është qasje e papërgjegjshme ndaj institucioneve të vendit.

Beogradi thotë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës por edhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë arsye me 23 prill me kërkesën e Beogradit, votuesit serbë bojkotuan zgjedhjet e organizuara nga autoritetet e Kosovës në veriun e banuar më shumicë serbe.

Pas atyre zgjedhjeve, presidenti serb kritikoi ashpër zyrtarët perëndimorë, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

‘Afera McGonigal ‘gropos’ Edi Ramën’Do të rrëzohet pas një dekade në pushtet Nga John Schindler, Washington Examiner

 

Charles McGonigal, zyrtari i lartë në pension i FBI-së, i akuzuar tani për shkeljen e ligjeve të sanksioneve dhe për pastrim parash, është zhdukur kryesisht nga titujt kryesorë që nga akuza ndaj tij nga Departamenti i Drejtësisë pothuajse tre muaj më parë. Siç raportoi ky kontribues, skandali McGonigal, i cili përfaqëson një njollë serioze në reputacionin e Byrosë, përfshin shumë më tepër sesa lidhje të dyshimta me oligarkët rusë.

Çështja ka një dimension madhor ballkanik, që duket se është edhe më shpërthyes se këndi i Kremlinit. Ndërsa punonte për FBI-në, McGonigal e injektoi veten në politikën shqiptare, duke shërbyer si mjet i rëndë për qeverinë socialiste në pushtet atje, duke përfshirë kryeministrin e saj, Edi Rama. Përpjekjet e tij mund të kenë përfshirë një operacion për të zhvatur dhjetëra milionë dollarë nga biznesmenët shqiptarë në këmbim të ndihmës nga McGonigal për të qëndruar në mirësinë e Uashingtonit.

Ky aspekt ballkanik i skandalit të McGonigal ka marrë një mbulim të pakët në mediat amerikane, pavarësisht implikimeve shqetësuese për Shtëpinë e Bardhë, duke pasur parasysh lidhjet e ngushta mes administratës së Biden dhe qeverisë së Ramës. Në të kundërt, media shqiptare ka raportuar gjerësisht për këtë çështje të fëlliqur, nisur nga ndryshimet shpërthyese që përmban, veçanërisht sa i përket lidhjeve të socialistëve të Ramës dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.

Kohët ndryshojnë dhe fakti i jashtëzakonshëm që dekada e qeverisjes së Ramës përkon me shndërrimin e Shqipërisë në vendin kryesor të kontrabandës së drogës në të gjithë Europën, po përflitet përtej Ballkanit. Tani që Mbretëria e Bashkuar ka një problem serioz me narkotrafikun shqiptar, mediat e tyre më në fund po venë re se gangsterët nga ai vend i vogël ballkanik janë bërë burimi i preferuar i Europës për narkotikët e paligjshëm. Në Ekuadorin e largët, media po vëzhgon se krimi i organizuar shqiptar dhe droga e tyre kanë bërë që problemi i dhunës në atë vend të Amerikës së Jugut të shkojë keq e më keq.

Siç ka raportuar Washington Examiner, administrata e Biden shfaq një ‘tolerancë të çuditshme’ për qeverinë Rama, pavarësisht përfshirjes së saj të fshehtë në tregtinë e drogës. Megjithatë, tani mund t’i vijë fundi. Skandali i McGonigal ka hapur derën e hetimeve reale të lidhjes drogë-krim-korrupsion të Shqipërisë dhe ato mund të zbulojnë më shumë sesa mund të tolerojë Shtëpia e Bardhë.

Mbi të gjitha, Shqipëria ka zgjedhjet që vijnë më 14 maj. Skandali i McGonigal ka zënë vend kryesor në diskutimet politike atje. Rama dhe qeveria e tij kanë tani një krizë në duart e tyre, e cila mund t’i rrëzojë ata pas një dekade në pushtet.

Vizita e Gabriel Escobar në mes të prillit për takime me politikanë të lartë të Shqipërisë mori vëmendje sepse ai është Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështjet në Ballkanin Perëndimor. Nuk ndodh çdo ditë që Uashingtoni të dërgojë kryediplomatin e saj në rajon për të kontrolluar Shqipërinë e vogël. Zyrtarisht kjo kishte të bënte vetëm me një biznes rutinë si ‘forcimi i demokracisë’ përpara zgjedhjeve.

Megjithatë, Escobar dukej jashtëzakonisht i barabartë në komentet e tij për mediat lokale. Siç u shpreh ai në një intervistë televizive, ‘vizita ime këtu nuk është absolutisht e lidhur me zgjedhjet lokale. Është pjesë e konsultimeve të rregullta që kemi me aleatët e ngushtë. Dhe Shqipëria është një aleate e ngushtë’.

Ai vazhdoi i pyetur për zgjedhjet e ardhshme: “Ne nuk jemi në gjendje të zgjedhim kandidatë apo anëtarë të partive politike. Marrëdhënia jonë me Shqipërinë është me popullin e Shqipërisë, jo me një parti dhe jo me një person”.

Është i vështirë të keqkuptohet komenti i Escobar, i cili e bën të qartë se, ndërkohë që administrata e Biden mund të preferojë të shohë Ramën dhe Partinë e tij Socialiste në pushtet, asgjë nuk do të ndryshojë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pavarësisht se kush fiton zgjedhjet.

Thashethemet shqiptare pretendojnë se vizita e Escobar përfshinte qartësimin e qëndrimit nga Departamenti i Shtetit për Ramën dhe qeverinë e tij. Pas padisë së McGonigal, Departamenti i Drejtësisë po shqyrton të gjitha lidhjet e huaja të personit të rënë nga FBI-ja, përfshirë Shqipërinë. Çdo hetim i tillë do të përplasej shpejt me lidhjet e qeverisë Rama me krimin e organizuar dhe tregtinë e drogës.

Kjo ka krijuar panik në qarqe të caktuara, dhe megjithëse është e lehtë të hedhësh poshtë thashethemet politike lokale, duket se përfshin disa të vërteta.

Nga burime të qeverisë amerikane kam kuptuar se komuniteti i inteligjencës, i cili ka vite që ka njohur lidhjet e pakëndshme të narkotrafikut të qeverisë Rama, posedon dosje të trasha sekrete që tregojnë këtë histori të pakëndshme.

Pëshpërimat nga Departamenti i Drejtësisë thonë se po hetohen lidhjet me Shqipërinë deri në nivelet më të larta.

Por ky hetim nuk synon vetëm Ramën. Departamenti i Drejtësisë thuhet se po shqyrton edhe socialistët kryesorë, përfshirë Erion Veliajn, kryebashkiak i kryeqytetit të vendit dhe një aleat i ngushtë i Ramës.

Lidhjet me reputacion të Veliajt me krimin e organizuar ndërkombëtar, lidhjet me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, janë raportuar, kështu që nuk është e habitshme që ai po vihet nën vëzhgimin e Uashingtonit.

Në një mënyrë tipike ballkanike, disa politikanë shqiptarë pretendojnë se Veliaj, duke nuhatur gjakun në ujë dhe duke e parë veten si pasaardhës të kryeministrit, po ndihmon fushatën e shtypit kundër Ramës.

Pavarësisht kësaj, skandali i McGonigal ka ndryshuar lojën në Shqipëri. Për një dekadë, Edi Rama ka shpëtuar duke e kthyer vendin e tij, aleat të NATO-s dhe SHBA, në një narkoshtet në Europë.

Duket se administrata e Biden më në fund është mbushur nga kjo marrëveshje e neveritshme. Do të dimë më shumë pas zgjedhjeve në Shqipëri pas dy javësh.

—–

Is the Biden administration about to cut ties with its Albanian narcotrafficker friends?

https://www.washingtonexaminer.com/restoring-america/fairness-justice/is-the-biden-administration-about-to-cut-ties-with-its-albanian-narcotrafficker-friends

John R. Schindler served with the National Security Agency as a senior intelligence analyst and counterintelligence officer.

Emërohet ambasadori i ri amerikan në Shqipëri

Kongresi Amerikan ka zgjedhur sot emrin i cili do të zëvendësojë ambasadoren Yuri Kim në vendin tonë.

Bëhet fjalë për David J. Kostelancik, i cili ka një karrierë të gjatë në fushën e diplomacisë.

David J. Kostelancik, është një zyrtar karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, ndërsa së fundmi shërbeu si Këshilltar për Politikën e Jashtme të Kryetarit të Shefit të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley.

Kostelancik ka shërbyer më parë si Zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet si “i Ngarkuar me Punë”, në Ambasadën Amerikane në Budapest, Hungari.

Detyrat e tjera përfshijnë Drejtorin e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore Qendrore (mbikëqyrja e angazhimit diplomatik të SHBA-së me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë) dhe Drejtor i Zyrës së Çështjeve Ruse në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, si dhe Drejtor i Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (përfshirë menaxhimin e programeve të ndihmës për sundimin e ligjit të financuara nga USG në Shqipëri). Më herët, Kostelancik u dërgua dy herë në Ambasadën Amerikane në Moskë, Rusi.

Detyra të tjera jashtë shtetit përfshijnë Misionin e SHBA në OSBE dhe Misionin e SHBA në NATO, Ambasadën e SHBA në Tiranë, Shqipëri dhe Ambasadën e SHBA në Ankara, Turqi.

Kostelancik ka marrë çmimeve të shumta për performancën nga  Departamenti i Shtetit.

Kostelancik është diplomuar në Universitetin Northëestern në Matematikë dhe Shkenca Politike, si dhe Master nga Universiteti i Miçiganit në Studimin e Rusisë dhe të Evropës Lindore. Po ashtu ai ka përfunduar Masterin Shkencor nga Kolegji Kombëtar i Luftës në politikën e sigurisë kombëtare.

Ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ruse dhe asaj turke. David J. Kostelancik është baba i tre djemve të rritur. Njohja e gjuhës shqipe nga ana e Kostelancik, pritet t’i lehtësojë edhe më tepër detyrat si ambasador në Shqipëri.bw


Send this to a friend