VOAL

VOAL

Nuland: Serbia nuk duhet të zgjedhë midis Rusisë e SHBA

Victoria Nuland në Beograd

Serbia nuk duhet të zgjedhë midis Rusisë dhe Amerikës, ka deklaruar në Beograd ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland.

“E kuptojmë se Serbia ka një bashkëpunim afatgjatë me Rusinë dhe se lidhjet e saj me të janë të forta, familjare, kulturore dhe fetare… nuk shohim ndonjë kontradiktë në faktin se Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe SHBA-në. Nuk mendojmë se duhet t’iu kërkojmë partnerëve dhe aleatëve të zgjedhin anë”, ka thënë Nuland të hënën në Beograd.

Ajo ka shtuar se edhe SHBA ka biseda të mira dhe të drejtpërdrejta me Rusinë.

Nuland ka thënë se SHBA do të mbështesë Serbinë në rrugën e saj evropiane dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut politik midis Beogradit dhe Prishtinës.

E pyetur nëse SHBA, në fund të normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë, do të kërkojë nga Serbia të njohë Kosovën, Nuland ka thënë:

“Procesi i dialogut po zhvillohet në drejtim të duhur. Ne jemi avokatë shumë të fuqishëm të dialogut. E shohim se si ai proces po rritet dhe përmirësohet. Procesi do të zgjasë dhe ne jemi shprehur të gatshëm që ta përshpejtojmë dhe ta ndihmojmë atë”.

Nuland, përpara Beogradit, ka vizituar edhe Prishtinën e Shkupin. rel

Obama në Dallas homazhe për policët e vrarë

Presidenti i SHBA, Barack Obama

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të qëndrojë sot në Dallas të Teksasit, ku do të ndjekë një shërbim përkujtimor për pesë policët e vrarë javën e kaluar.

Obama do të shoqërohet nga nënpresidenti Joe Biden dhe paraardhësi i tij, George W. Bush.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka thënë se Obama do të përpiqet të ngushëllojë njerëzit në gjithë vendin, pas sulmit në Dallas dhe vrasjes së afrikano-amerikanëve nga policia, të cilat kanë shkaktuar protesta në shumë qytete.

Sulmi në Dallas ka ndodhur gjatë një proteste kundër vrasjes së dy afrikano-amerikanëve, vetëm pak ditë më parë.

Sulmuesi ka thënë se ka dashur të hakmerret dhe të vrasë njerëz të bardhë.

SHBA – Anembanë vendit vazhduan protestat

Demonstratat për brutalitetin e policisë kundër meshkujve afrikano-amerikanë vazhduan në gjithë Shtetet e Bashkuara gjatë natës të së shtunës dhe në orët e para të së dielës.

Ditët e protestave filluan si reagim ndaj vrasjes së dy afrikano-amerikanëve javën e kaluar, një në Luiziana dhe tjetri në Minesota.

Të shtunën në Baton Rouge të Luizianës, DeRay McKesson, një anëtar i lëvizjes “Black Lives Matter” dhe një nga themeluesit një grupi aktivist të qujatur “Fushata Zero”, u arrestua ndërsa po regjistronte drejtpërdrejt në internet në një demonstratë për vrasjen nga policia të Sterling.

Policia e Baton Rouge thotë se arrestoi vetëm njerëz që dolën në rrugë në vend që të qendronin në trotuar.

Në Minesota, protestuesit bllokuan një autostradë kryesore pranë vendit ku u godit Philando Castile nga një oficer policie të mërkurën.

Policia në Dallas merr kërcënime të reja

Policia nuk ka vërtetuar peshën e kërcënimeve por tha se ka shtuar masat e sigurisë

DALLAS – Policia në Dallas në shtetin federal amerikan Teksas ka bërë të ditur se ka marrë kërcënim të ri dy ditë pasi snajperi, për të cilin është konfirmuar se është veteran, ka vrarë pesë policë gjatë protestave në atë qytet, të mbajtura për shkak të vrasjes së dy afroamerikanëve në intervenimet e policisë.

Policia nuk ka vërtetuar peshën e kërcënimeve por tha se ka shtuar masat e sigurisë.

Autoritetet më vonë njoftuan se kanë kryer kontrolle në një garazh parkimi në kërkim të personave të dyshuar.

Mediat amerikane raportojnë se para selisë kryesore të policisë në Dallas ka automjete të blinduara dhe forca speciale.

Dallasi ishte një nga qytetet e shumta amerikane në të cilin të enjten u mbajtën protesta të qeta ‘Black Lives Matter’. Deri tek protestat erdh pas vdekjes së dy afroamerikanëve të cilët u vranë nga ana e pjesëtarëve të policisë në tre ditë rresht.

Rasti i fundit ndodhi të mërkurën në Minesota. aa

Vritet një tjetër afroamerikan në SHBA

Policia amerikane ka vrarë një tjetër afro-amerikan të armatosur në Hjuston. Personi është vrarë nga agjentët pasi kishte nxjerrë një pistoletë dhe ua kishte drejtuar atyre.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale. Ngjarja ka ndodhur në jug të Hjustonit, Teksas, ku agjentët kanë vënë re personin e armatosur në rrugë, i cili thirrjes së tyre për të hedhur armën i është përgjigjur fillimisht duke e ngritur në ajër dhe më pas duke ua drejtuar.

Në këtë pikë, agjentët kanë hapur zjarr duke e qëlluar disa herë personin, një afro-amerikan, transmeton TCH.

Pasi është informuar mbi ngjarjet nga Evropa, ku ndodhet për samitin e NATO-s, presidenti Barack Obama ka vendosur të afrojë kthimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

Kështu, presidenti do të mbërrijë nesërmbrëma në Uashington dhe në fillim të javës do të jetë në Dallas. Një i lënduar, që qan viktimat e tij e që, siç e përshkruajnë disa dëshmitarë, ka qenë skenë e një “lufte të vogël” që është kthyer në ditën më të zezë për policinë amerikane që prej 11 shtatorit 2001.

Policia amerikane përdor për herë të parë robot vrasës

Ekspertët e sigurisë besojnë se është hera e parë që një forcë policore të ketë përdorur një robot për të neutralizuar një të dyshuar

SAN FRANCISCO – Departamenti policor në Dallas, ka përdorur për herë të parë një robot të mbushur me eksploziv për vrasjen e një sulmuesi me armë, deklaruan autoritetet e qytetit.

Të enjten në mbrëmje i dyshuari vrau pesë policë dhe plagosi disa të tjerë gjatë një proteste kundër brutalitetit policor në atë qytet.

Shefi i policisë, David Brown, gjatë një konference për mediat njoftoi se policia ka vrarë Micah Xavier Johnsonin duke përdorur një robot bombë të pajisur me eksploziv.

Ekspertët e sigurisë besojnë se është hera e parë që një forcë policore të ketë përdorur një robot për të neutralizuar një të dyshuar. aa

Vrasjet në Dallas e kthejnë Obamën më herët në SHBA

Presidenti amerikan, Barack Obama

Presidenti amerikan, Barack Obama, do e shkurtojë vizitën e tij në Europë për tu kthyer në Dallas të Teksasit ku pesë policë janë vrarë nga një person i armatosur i cili raportohet të ketë thënë se dëshiron të “vrasë njerëzit e bardhë”.

Obama planifikon që sot të udhëtojë drejt Spanjës pas samitit të NATO-s në Varshavë, por ai do i shkurtojë aktivitetet e planifikuara atje me qëllim që të arrijë në Dallas në fillim të javës së ardhshme, njofton Shtëpia e Bardhë.

Obama tashmë i ka dënuar si “neveritëse” vrasjet e kryera nga rezervisti i ushtrisë amerikane, Micah Johnson, i cili ka shërbyer në Afganistan.

Gjatë sulmit në Dallas ai iu ka thënë policëve se është duke vepruar i vetëm dhe se kishte cak njerëzit e bardhë pasi ishte i zemëruar me vrasjet e afrikano amerikanëve nga policët amerikanë.

Zyrtarët më të lartë amerikanë kanë thënë të premtën se ata besojnë që Johnson vërtetë ka vepruar i vetëm.

Derisa sulmuesi në Dallas nuk është inspiruar nga grupet militante jashtë shtetit, në profilin e tij në Facebook, ai ka pëlqyer disa grupe militante amerikane, përfshirë “Panterat e Zeza”, “Kombin e Islamit” dhe një poet nacionalist afrikano amerikan i cili pas vrasjeve që policët kanë kryer gjatë kësaj jave ka bërë thirrje për dhunë hakmarrëse ndaj policisë.

Ndërkaq, protestat në Amerikë kanë vazhduar edhe mbrëmjen e së premtës në Los Angeles, Atlanta, Boston dhe qytete të tjera kundër vrasjeve të afrikano amerikanëve nga policia amerikane.

Një afro-amerikan në SHBA gjendet i varur në pemë

Prefekti i Atalantës ka deklaruar se ngjarja po hetohet nga Byroja Federale e Hetimeve dhe se pretendimet në median sociale nuk reflektojnë të vërtetën

UASHINGTON – Në Atlanta të SHBA-së njoftohet se një person afro-amerikan i seksit mashkull është gjetur i varur në një pemë.

Për ngjarjen e ndodhur në parkun Piedmont në Atalanta autoritetet lokale kanë deklaruar se kjo mund të jetë një vetëvrasje, ndërsa banorët e zonës pretendojnë se përgjegjësit e kësaj ngjarjeje janë anëtarët e organizatës raciste të të bardhëve Klu Klux Klan (KKK) në SHBA.

Në një deklaratë të bërë nga Departamenti i Policisë së Atalantas bëhet e ditur se një person afro-amerikan i moshës 25-35 vjeç është gjetur në orët e para të mëngjesit i varur në një pemë, si dhe theksohet se ngjarja mund të jetë vetëvrasje. aa

Obama: Jemi në solidaritet me popullin dhe policinë në Dallas

Obama ka reaguar në lidhje me sulmin ku humbën jetën 5 policë gjatë ngjarjeve të zhvilluara në protestat në Dallas për vrasjen e 2 qytetarëve afro-amerikanë në rajonet të ndryshme të vendit

VARSHAVË – Presidenti amerikan Barack Obama ka reaguar në lidhje me sulmin ku humbën jetën 5 policë gjatë ngjarjeve të zhvilluara në protestat në Dallas për vrasjen e 2 qytetarëve afro-amerikanë në rajonet të ndryshme të vendit.

“Jemi të tmerruar nga këto sulme. Ne jemi në solidaritet me popullin dhe policinë në Dallas. Policia shprehet se janë disa të dyshuar, do të marrim më shumë informacion. Përgjegjësit e sulmit do të ndëshkohen dhe drejtësia do të vihet në vend”, u shpreh Obama.

Policët në Dallas u qëlluan me snajper

Dallas ishte njëri nga qytetet e shumta në SHBA, në të cilin të enjten u mbajtën protesta të qeta si shenjë solidariteti për njerëzit me ngjyrë

Pesë policë në Dallas janë vrarë nga snajperët, pasi mbi dhjetë të tjerë ishin objektiv i sulmit gjatë protestave për shkak të vrasjes së dy afro-amerikanëve gjatë ndërhyrjes së policisë në Minesota, njoftuan autoritetet.

Gjatë një ore policia ka negociuar me të dyshuarin në garazhin në Main Street afër kolegjit El Centro. Tre personat e tjerë të dyshuar janë në paraburgim. Shefi i policisë në Dallas, David Brown të premten tha se i dyshuari ka porositur se “fundi po vjen” se bombat janë vendosur në të gjitha anët dhe se do të vrasë dhe lëndojë shumë prej nesh”.

Duke u fshehur në një garazh ai vazhdoi të qëllojë drejt policëve. Pesë apo gjashtë breshëri janë regjistruar në video incizimin gjatë të enjtes mbrëma, ndërsa Brown tha se dyshohet për dy snajperistë. “Kam përshtypje se janë dy snajperistë që kanë qëlluar dhjetëra policë. Të shtënat kanë ardhur nga ndërtesat përreth. Tre nga policët ndërruan jetë, dy janë operuar, ndërsa tre të tjerë janë në gjendje kritike”, tha Brown.

Pak më vonë, në llogarinë e policisë në Twitter u publikua njoftimi se një tjetër polic ka ndërruar jetë, pastaj edhe një tjetër, ku numri i të vrarëve u rrit në pesë. Brown shtoi se në vazhdim është kërkimi intensiv për të gjetur të dyshuarin ose të dyshuarit.

Policia në rrjetet sociale ka shpërndarë një foto të një njeriu të maskuar të cilin e ka etiketuar si një nga të dyshuarit, dhe i kërkoi publikut ndihmë në identifikimin e tij.

Një burrë i cili u prezantua si vëllai më i ri i personit të dyshuar nga fotografia, për një televizion lokal tha se vëllai i tij vullnetarisht ka dorëzuar armën në polici që të përjashtuar veten nga secila mundësi që të dyshohet si i përfshirë në të shtënat. aa

DASH – Rihapet hetimi për emailet e ish-sekretares Clinton

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) do ta rihapë një hetim të brendshëm për keqmenaxhim e mundshëm të informacioneve të fshehta nga ana e ish-sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton, kanë thënë mbrëmë zyrtarët.

Ndihmësit e afërt të zonjës Clinton, tashmë janë larguar nga ky departament, por ata ende mund të ballafaqohen me humbjen e pastërtisë së sigurisë, që mund t’i dëmtoj shpresat e tyre për të pasur një post të lartë nëse ajo zgjedhet presidente e Shteteve të Bashkuara.

Departamenti amerikan i shtetit, në janar të këtij viti e kishte filluar një hetim të brendshëm, pasi ishte shpallur se 22 imejla të zonjës Clinton nga serveri privat, ishin me “fshehtësi të lartë”.

Ky hetim ishte pezulluar në prill, në mënyrë që të mos bëhej përzierje e hetimeve me agjencinë FBI.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, John Kirby, tha se hetimi rihapet pasi Departamenti i drejtësisë vendosi që të mos paraqes asnjë akuzë penale.

Ky vendim u bë derisa drejtori i agjencisë FBI, James Comey, tha mbrëmë gjatë një dëgjimi në Kongresin amerikan, se ai do ta kishte shkarkuar ose do t’ia kishte tërhequr pastërtinë e sigurisë secilit anëtar të FBI-së, i cili do të kishte dërguar imejla sikur që vepruan ndihmësit e zonjës Clinton.

Në Dallas qëllohen të paktën 11 policë, 3 të vrarë

Të paktën 3 policë u vranë dhe 8 të tjerë u plagosën të enjten mbrëma në qytetin jugor amerikan Dallas të shtetit Teksas, gjatë një tubimi proteste kundër asaj që shihet gjerësisht si përdorim i tepruar force nga policia ndaj dy afrikano-amerikanëve në Minesota dhe Luiziana.

Policia u kërkoi demonstruesve që të largoheshin nga zona në të cilën po qëllohej me armë, jo shumë larg nga vendi ku në vitin 1963 u vra presidenti John Kennedy.

Një person që ndodhej aty në kohën e të shtënave me armë e përshkroi skenën si “kaos i plotë.”

Presidenti amerikan Barack Obama u bëri thirrje forcave të zbatimit të ligjit të eliminojnë paragjykimet racore nga radhët e tyre, duke thënë se “të gjithë ne si amerikanë duhet të na bëjnë të shqetësohemi” vrasjet nga policia të afrikano-amerikanëve këtë javë.

“Ne kemi parë tragjedi si kjo shumë e shumë herë,” tha Presidenti Obama pas mbërritjes të premten në mëngjes në Varshavë për një takim dy-ditor të udhëheqësve të NATO-s. Ai tha se ndihet i detyruar të komentojë për vrasjet me një deklaratë për televizionin – përveç një postimi në Facebook botuar pak orë më parë – duke pasur parasysh “interesimin e jashtëzakonshëm” që kanë ngjallur incidentet.

Dy meshkuj afrikano-amerikanë u qëlluan për vdekje nga policia në Shtetet e Bashkuara gjatë dy ditëve të fundit. Incidentet sërish kanë ngritur pyetje rreth përdorimit të tepruar të forcës nga ana e policisë, veçanërisht kundër pakicave.

Presidenti tha se të gjithë amerikanët duhet të jenë të shqetësuar në lidhje me problemin e të shtënave të shpeshta të policisë ndaj afrikano-amerikanëve, që ai i quajti “shenjë e pabarazive më të gjera racore që ekzistojnë” në sistemin amerikan të drejtësisë.

Ai tha se këto pabarazi vërtetohen nga nga statistikat që tregojnë se afrikano-amerikanët dhe hispanikët trajtohen ndryshe nga policia.

dallasi2

Dallas, një polic në një nga rrugët e qendrës së qytetit, 7 korrik, 2016.

Presidenti Obama komenton për vrasjet

“Kur ndodhin incidente të tilla, një pjesë e madhe e bashkëqytetarëve tanë e ndiejnë se për shkak të ngjyrës së lëkurës ata nuk trajtohen njësoj. Dhe kjo dhemb,” tha Presidenti Obama.

dallasi3

Njerëzit ndezin qirinj për Alton Sterling, i cili u vra nga një polic në Baton Rouge të Luizianës më 6 korrik, 2016.

dallasi4

5 korrik 2016. Në këtë foto të nxjerrë nga një video, Alton Sterling mbahet nga dy policë, njëri prej të cilëve ka në dorë një revolver

Incidente fatale në përplasje me policinë

Janë rishfaqur protestat për praktikat policore, në veçanti ndaj komuniteteve pakicë këtu në Shtetet e Bashkuara. Dy afrikano-amerikanë kanë humbur jetën nga plumbat e policisë. Në një komunitet të Minesotës, në veri të vendit, si dhe në Baton Rouge, kryeqyteti i Luizianës në jug të Shteteve të Bashkuara, thirrje të revoltuara pasqyrojnë dëshmpërimin e komunitetit për incidente fatale që nga komuniteti afrikano-amerikan shihen si dëshmi e tendencave raciste të forcave të rendit ndaj këtij grupi:

Philando Castile, një 32-vjeçar afrikano-amerikan humbi mbrëmë jetën në Minesota, pasi u qëllua për vdekje nga një polic. Viktima punonte në një shkollë tetë-vjeçare dhe në kohën e incidentit po lëvizte me makinë, ku ishte edhe një grua dhe një fëmijë shtatë vjeç.

Shefi i policisë për qytetin St. Anthony informoi komunitetin se një individ kishte mbetur i vrarë në një incident me policinë dhe se çështja ishte kaluar në Byronë e Investigimeve Penale.

Incidenti ka shkaktuar protesta në qytet, pasi në median sociale qarkulloi një video, e xhiruar menjëherë pas incidentit. Policia ka konfirmuar se videoja tregon skena të të njëjtit incident ku u qëllua për vdekje Philando Castile.

Në video shihet një burrë u mbuluar me gjak, i shtrirë në sediljen e makinës. Dëgjohet gjithashtu zëri i një gruaje duke i thënë policit se viktima i kishte treguar se kishte armë në makinë, se kishte edhe leje për armëmbajtje, por polici i kishte thënë të mos përpiqej të nxirrte lejen nga portofoli.

Gruaja thotë në video se kur viktima po ngrinte duart në ajër, polici e qëlloi 4-5 herë.

Polici në video tingëllon shumë i nervozuar dhe në një moment bërtet “I thashë të mos e prekte. I thashë të largonte dorën që andej”.

Gruaja në makinë, e cila është identifikuar si Diamond Reynolds, e dashura e viktimës reagon me qetësi ndaj policit duke thënë “Ti i the të nxirrte patentën e makinës”.

Ngjarjet në Minesota ndodhin ndërkohë që në Baton Rouge të Luizianës kanë shpërthyer protesta për vdekjen e një afrikano-amerikani gjatë një incidenti me policinë.

Alton Sterling u qëllua për vdekje, pasi dy policë e kishin rrëzuar për tokë dhe vënë nën kontroll. Incidenti është regjistruar në video dhe është postuar në median sociale duke tërhequr vëmendje mbarë-kombëtare.

Është një nga videot më grafike të regjistruara në rastet e incidenteve të ngjashme me policinë. Vrasja ndodhi të martën para një dyqani, ku 37-vjeçari Sterling shiste video filmash dhe lojëra elektronike.

Dy policë mbërrijnë në skenë, pasi kishin marrë njoftim se një afrikano-amerikan me bluzë të kuqe po kërcënonte kalimtarët dhe kishte armë zjarri në dorë. Policia përleshet me 37-vjeçarin Sterling. Dëgjohen të shtëna. Më pas në video shihet Sterling i mbuluar me gjak në kraharor, ndërsa polici nxjerr nga xhepi i viktimës një objekt. Pronari i dyqanit, i cili xhiroi videon, thotë se objekti i nxjerrë nga xhepi i Alton Sterling ishte armë zjarri.

Përveç videos së pronarit të dyqanit, policët kishin kamera të vëna në trup, por që lëvizën gjatë përleshjes. Të gjitha këto regjistrime nga kënde të ndryshme po analizohen për të gjykuar çfarë ndodhi.

Guvernatori i shtetit të Luizianës ia ka kaluar çështjen Departamentit të Drejtësisë për hetime të mëtejshme, ndërkohë që komuniteti ka dalë në protesta me thirrjet tashmë të njohura: “Ndal brutalitetit policor”.

Drejtori i FBI: Hillary Clinton nuk e ka shkelur ligjin dhe nuk e ka gënjyer FBI-në

Drejtori i FBI, James Comey, iu ka thënë ligjvënësve amerikanë sot se kandidatja demokrate për presidente të ShBA-së, Hillary Clinton, nuk e ka gënjyer FBI-në rreth mënyrës se si i ka përdorur emailet si sekretare e Shtetit, dhe se nuk e ka shkelur ligjin, gjithashtu.

Comey ka thënë para panelit mbikëqyrës të udhëhequr nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve se asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të kërkonte kallëzim penal për mënyrën e përdorimit të serverëve të emailit privat nga Hillary si sekretarësh e Shtetit, disa nga të cilët ishin përdorur për të transmetimin e informatave sekrete

Suzana Shkreli e shpall kandidaturën për në Kongresin Amerikan

Nuk do të jetë e lehtë për shqiptaro-amerikanen që kandidon si Demokrate në një zonë ku ka gati 20 vjet që fitojnë Republikanët dhe ku procesi në Partinë Demokrate përfundoi në konfuzion nga tërheqja e kandidates së parë.

Ndihmës-prokurorja nga Macomb, Suzana Shkreli ka tani shansin që të bëhet shqiptaro-amerikania e parë në histori që zgjidhet në Kongresin Amerikan.

Ajo është emëruar si kandidatja e preferuar nga Partia Demokrate për Distriktin e 8 Kongresional ku do të sfidojë kongresistin në fuqi, Republikanin Mike Bishop.

Demokratët shpresojnë se caktimi i shqiptaro-amerikanes do t’i japë fund gjendjes së konfuzionit të krijuar pasi kandidatja e tyre e parë, aktorja Melissa Gilbert, e njohur nga seriali televiziv “Little House on the Prairie” (Shtëpia e Vogël në Lëndinë) u tërhoq nga gara.

Aktorja hutoi Demokratët kur deklaroi se dhimbjet e mbetura nga një aksident i para disa vjetëve e bënin të pamundur konkurrimin e saj.
Problemi më i madh është se kjo tërheqje ndodhi shumë vonë. Kështu që në muajin gusht, kur Demokratët të paraqiten për të votuar për zgjedhjet paraprake ku do të caktojnë kandidaten e tyre për në nëntor, në fletëvotim do të jetë vetëm emri i Melissa Gilbert, transmeton shekulli. Demokratët duhet të shkruajnë me dorë emrin e Suzana Shkreli përndryshe do të mbeten me një kandidate që është tërhequr.

Është një gjendje e paqartë edhe sepse zyra e Sekretarit të Shtetit nuk ka bërë ende një vlerësim zyrtar të rastit të Milessa Gilbert.
Shqiptarët patën rastin ta njohin Suzana Shkrelin gjatë vizitës së saj të fundit në Shqipëri për të ndihmuar spcializimin dhe masat e autoriteteve aty në luftën kundër dhunës në familje.

Në SHBA, Suzana Shkreli punon në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve të Zyrës së Prokurorisë, në Kontenë Macomb.
“Si një prokurore e Kontesë Macomb në Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve, unë përplasem me sfida të forta çdo ditë, për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual dhe dhuna”, thuhet në deklaratën e botuar nga fushata e saj.

Deklarata shton se, ndryshe nga ajo, kongresisti Mike Bishop dhe Kongresi në fuqi nuk guxojnë të përballen me sfidat e vështira.
“Prindërit e mi janë emigrant shqiptarë, klasë punëtore, që kanë punuar ditë e natë për të më ndihmuar motrën, vëllezërit dhe mua që të marrim një shkollim të mirë dhe të shkojmë në kolegj”, thuhet në deklaratën e saj që shpjegon se kjo është edhe arsyeja se pse Suzana Shkreli ka vendosur që karrierën e saj ta përdorë që të shprehë mirënjohjen duke ndihmuar që brezi që vjen pas saj të ketë të njëjtat mundësi.
“Në Kongres, do të punoj që të krijoj vende të mira punë, të përmirësoj shkollat, të mbaj armët larg nga duart e terroristëve, të kujdesem për veteranët, për t’i dhënë fund varësisë nga drogat dhe për të mbrojtur Sigurinë Sociale dhe Medicare”, rreshton ajo në listën e premtimeve të fushatës.

Suzana Shkreli ka një rrugë të gjatë për të arritur deri në Kongresin Amerikan. Së pari duhet të zgjidhë situatën në Partinë Demokrate, së dyti të marrë votëbesimin e demokratëve në muajin gusht dhe pastaj të bindë një zonë që ka 20 vjet që voton për Republikanët se është koha për ndryshim.

Për këtë sigurisht që do të ketë ndihmën e pakursyer të shqiptaro-amerikanëve. Po pa një organizim dhe fushatë të fortë në distriktin e tetë vështirë që ëndrra e saj të materializohet, sado ndihmë që të marrë nga jashtë.

Ajo vetë është optimiste për sfidën e re dhe e mbyll deklaratën e parë si candidate me dy fjalë kuptimplotë: “Jam gati!”

Letra e plotë edhe faksimile/ Donald Lu iu shkruan deputetëve shqiptarë: Nëse nuk e votoni reformën, Shqipëria kthehet në kërcënim për SHBA-të

Voal – Votojeni edhe nëse nuk arrihet konsensusi

Pas negociatave mes palëve, apeleve të shumta publike, takimeve edhe kokë më kokë me deputetë të vecantë, ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu i është drejtuar sot me një letër gjithë deputetëtev të Kuvendit të Shqipërisë.

Ambasadori amerikan thekson se tani është koha që secili të vendosë për reformën, si një nga më të rëndësishmet për vendin.

“Është koha për të marrë një vendim, votimi është parashikuar më 21 korrik. Ka ende kohë që udhëheqësit të gjejnë një kompromis që të mbështetet nga opozita dhe mazhoranca. Nëse udhëheqësit politik nuk e duan konsensusin, ju bëjmë thirrje ta votoni reformën”, shkruan ambasadori amerikan.

Lu i kujton deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë se në ndikimi politik në sistemin e drejtësisë kërcënon shoqërinë dhe dobëson aleancën.

“SHBA është një aleat strategjik i Shqipërisë. Ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënon shoqërinë dhe dobëson aleancën tonë. Si aleati NATO-s është në interesin kombëtar të SHBA që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurtë”, shkruan më tej ai.

LETRA E PLOTE

Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aleati juaj strategjik në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare. Sot, korrupsioni dhe ndikimi politik në sistemin tuaj të drejtësisë kërcënojnë shëndetin e shoqërisë suaj dhe dobësojnë aleancën tonë. Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Shqipëria të mbetet një demokraci e fortë dhe e sigurt.

Prej gati dy vitesh kemi punuar në mbështetje të përpjekjeve tuaja për të reformuar sistemin tuaj të drejtësisë. Gjithashtu, kemi punuar në mënyrë konsekuente për tu siguruar që si zërat e opozitës, ashtu edhe të maxhorancës të kenë kontribuar në këtë reformë.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi miratoi projekt reformën më 14 qershor. Votimi i plotë në Kuvend është planifikuar për datën 21 korrik. Tani është koha për të marrë një vendim.

Çështja e fundit

Përgëzojmë punën e bërë nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, si nga anëtarët e maxhorancës, ashtu edhe të opozitës. Si rezultat i punës së madhe dhe profesionalizmit të tyre, kanë krijuar një projekt që është më i mirë, më legjitim dhe më i pranuar më gjerësisht sesa projekti fillestar i ekspertëve të paraqitur në muajin shtator. Ky mbështetet si nga qeveria dhe nga opozita, me përjashtim të një çështjeje- kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara.

Më e rëndësishmja, projekti i 14 qershorit i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi përmbush plotësisht standardet e Komisionit të Venecias dhe standardet europiane. Shtetet e Bashkuara dhe BE e kanë mbështetur këtë projekt. Kemi dëgjuar gjithashtu shqetësimet për paragrafin 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisioni të Venecias.

Sugjerojmë që ndërsa merrni në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, të lexoni që të dy paragrafët, si 61 dhe 88. Paragrafi 88 është një përmbledhje e të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Zgjedhja e komisionerëve të vlerësimit (vettingut) diskutohet më në hollësi në paragrafin 61. Për të përftuar një kuptim më të plotë mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias ia vlen të lexohen të dy.

Sistemet proporcionale

Të dy paragrafët vërejnë se qeveria dhe opozita e kanë të vështirë të bien dakord për shumicën e cilësuar me 3/5 apo 2/3 e votave për zgjedhjen e anëtarëve të komisioneve. Komisioni i Venecias rekomandon që nëse të dy palët nuk mund të gjejnë kompromis, mund të marrin në konsideratë përdorimin e një sistemi proporcional. Ata nuk rekomandojnë apo përmendin kurrë modelin e vendeve të rezervuara.

Në fakt, ka një sërë sistemesh proporcionale, përfshi votën e vetme të transferueshme, votimin e balotazhit të menjëhershëm, votimin e shumëfishtë, eliminimin dhe votimin Kondorse. Secili prej këtyre sistemeve do të ishte tërësisht në përputhje me Komisionin e Venecias.

Shtetet e Bashkaura dhe Bashkimi Europian i kanë kundërshtuar vendet e rezervuara sepse kjo formulë do ti etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqësor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vendeve të rezervuara do ta minonte këtë besim. Kemi vazhduar ta nxisim si qeverinë ashtu edhe opozitën të gjejnë një kompromis që është në përputhje me opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe që do të shmangte etiketimin politik të anëtarëve të komisionit të vetingut.

Koha për të marrë një vendim

Së fundmi, ka ende kohë që udhëheqësit politikë të gjejnë një kompromis që të mund të mbështetet si nga opozita, ashtu edhe nga maxhoranca. Duhet ta mbështesim të gjithë kërkimin për kompromis. Megjithatë, nëse udhëheqësit politikë nuk e duan kompromisin dhe nuk bien dakord për një tekst të përbashkët, ju bëjmë thirrje që ju ta votoni reformën. Paragrafi 87 (bashkëngjitur) i raportit të Komisionit të Venecias thotë se projekti i tanishëm i reformës është një propozim koherent e i shëndoshë dhe se është në përputhje me standardet evropiane.

Shtetet e Bashkuara besojnë se kjo reformë është jetike për të ardhmen e vendit tuaj. Ju bëjmë thirrje që më 21 korrik të votoni pro reformës në Drejtësi.

Sinqerisht

Donald Lu

Bashkëngjitur: Opionioni Përfundimtar i Komisionit të Venecias, paragrafët 61, 87 dhe 88.

Projekt Opinioni përfundimtar për projekt ndryshimet e rishikuara kushtetuese për gjyqësorin

61. Faza e dytë është zgjedhja e kandidatëve me 3/5 e votave në parlament. Opozita, si në rastin e KLGJ dhe KLP insiston që anëtarët e KPK të zgjidhen me 2/3 e votave. Komisioni i Venecias përsërit që të gjitha zgjidhjet do të ishin të ligjshme;megjithatë për të shmangur ngërcin politik, i cili është tepër i mundur në një rast të një pragu tepër të lartë, ligjbërësi mund të konsiderojë modele të tjera alternative të zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së dhe të DHSK-së. Thënë kjo, Komisioni i Venecias përsërit që i takon ligjëbërësit shqiptar të zgjedhë një sistem të duhur për zgjedhjen e anëtarëve të KPK dhe të gjyqtarevë të DHSK.

87. Projekt ndryshimet kushtetuese përmbajnë propozime të qëndrueshme për strukturën e ardhshme institucionale të gjyqësorit shqiptar; teksti në tërësi është koherent dhe në përputhje me standardet evropiane. Komisioni i Venecias beson që projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë dhe t’i paraqiten për votim parlamentit.

88. Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare që t’i kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme:

Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP,KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose cdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e përzgjedhjes;

Projekt ndryshimet duhet të specifikojnë metodën e emërimit të Kryeprokurorit të Posaçëm dhe mekanizmat e llogaridhënies nga ana e tij/saj;

Mandati i organeve vlerësuese (KLK dhe DHSK) duhet të shkurtohet ndjeshëm; gjyqtarët e DHSK në përfundim të mandatit të tyre duhet të përfshihen automatikisht në gjyqësor;

Gjyqtarët dhe prokurorët në proces vlerësimi duhet të kenë të drejtë të ankomojnë në GJK për shkeljen e të drejtave të tyre themelore, me disa përjashtime të arsyeshme të diktuara nga domosdoshmëria e procesit të vlerësimit.

Kompetencat e vëzhguesve ndërkombëtar duhet të qartësohen; ata duhet të kenë të drejta procedural, por jo kompetenca vendim-marrëse. Mekanizmi i transferimit të juridiksionit mbi çështjen nga një panel/dhomë tek një tjetër duhet të rishikohet

letra-1letra-2letra-3letra-4

 

Presidenti Obama përcjell urime për Fitër Bajramin

Presidenti Barak Obama ka përcjellë urimet e tij për besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.

Unë dhe Michelle u përvjellim përgëzimet më të ngrohta të gjithë atyre që festojnë Fitër Bajramin në Shtetet e Bashkuara dhe mbarë globin,” shprehet presidenti në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti vlerëson përmes deklaratës edhe kontributin e amerikanëve myslimanë për vendin:

“Amerikanët myslimanë janë po aq të larmishëm sa vetë kombi ynë – afrikano-amerikanë, latino-amerikanë, aziatiko-amerikanë dhe arabo-amerikanë. Në festën e Fitër Bajramit kujtojmë historinë tonë si komb i krijuar nga njerëz të të gjitha traditave; kujtojmë historinë tonë të lirive të besimit dhe të drejtave civile si dhe historinë tonë të novacioneve dhe forcës. Këto veti të trashëguara nuk do t’i kishim përftuar pa kontributin e amerikanëve myslimanë që e bëjnë vendin tonë edhe më të fortë”.

Në deklaratë, presidenti kujton edhe dhunën terroriste, që ai thotë se ka prekur edhe vetë komunitetin mysliman:

“Gjatë muajit të fundit, vendi dhe bota kanë duruar sfidat dhe dhunën e çmendur që na ka prekur zemrat dhe na ka lënduar shpirtin. I kemi në lutjet tona ata qindra jetë të pafajshme, shumë prej të cilave jetë myslimanësh, që u morën gjatë muajit të Ramazanit në vende si Orlando, Stambolli, Daka, Bagdati dhe Medina”.

Presidenti flet më tej për sulme të kryera kundër amerikanëve myslimanë në Shtetet e Bashkuara. Ai bën thirrje për përqafimin e vlerave më të mira amerikane përballë urrejtjes.

“Në këtë Ramazan, zotohemi të mbrojmë amerikanët myslimanë kundër paragjykimeve dhe ksenofobisë, ndërkohë që festojmë kontributin e tyre në mbarë vendin, përfshirë të njërit prej amerikanëve më të dashur, Kampionit të Popullit, Muhammad Ali, të cilit i dhamë lamtumirën këtë Ramazan. Unë dhe Michelle do të organizojmë këtë muaj festime në Shtëpinë e Bardhë për Fitër Bajramin dhe mirëpresim amerikanë nga i gjithë vendi në këtë festime. Urime nga familja jonë për familjet tuaja! Gëzuar Bajramin!”

Obama merr pjesë për herë të parë në mitingun zgjedhor të Clintonit

Obama ka mbajtur një fjalim mbështetës pasi ka marrë pjesë në mitingun zgjedhor të Clinton-it i cili është zhvilluar në qytetin Charlotte

UASHINGTON – Presidenti amerikan, Barack Obama i cili ka marrë pjesë për herë të parë në mitingun zgjedhor të kandidates për presidente në radhët e demokratëve, ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton pasi ka theksuar se do të votojë për Clintonin. Ai është shprehur se “E di se sa e mençur dhe sa e përgatitur është ajo për ngjarjet”.

Obama ka mbajtur një fjalim mbështetës pasi ka marrë pjesë në mitingun zgjedhor të Clintonit i cili është zhvilluar në qytetin Charlotte në rajonin e Karolinës së Veriut.

Obama dhe Clinton të cilët nga kryeqyteti Washington DC erdhën së bashku në Karolinën e Veriut me avionin Air Force One, përshëndetën votuesit demokratë të cilët kishin mbushur sheshin e mitingut.

Duke theksuar se kanë punuar ngushtë në periudhën kur Clinton ishte sekretare e Shtetit Obama tha se “E di se sa e mençur dhe sa e përgatitur është ajo për ngjarjet.” aa

John Kerry në Gjeorgji dhe Ukrainë

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, është në rrugë për në Evropë për vizita solidarizuese, që synojnë sigurimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës se këto dy vende të përfshira nga konflikti, nuk janë lënë anash nga komuniteti transatlantik.

Departamenti amerikan i shtetit ka njoftuar se zoti Kerry do ta ofroj mbështetjen e tij për “aspiratat evro-atlantike” të Gjeorgjisë në takimet me qeverinë dhe opozitën e këtij vendi në kryeqytetin Tbilisi, gjatë ditës së sotme.

Ai, pastaj, udhëton për në Kiev të Ukrainës, ku pritet të diskutoj për mënyrat e përfundimit të konfliktit të nixitur nga Rusia në pjesën lindore të Ukrainës.

Këto vizita po bëhen para samitit të NATO-s në Varshavë të Polonisë, ku aksionet ruse në pjesën lindore të Evropës do të jenë çështje kryesore.

FBI: Nuk ka arsye për akuza ndaj Zonjës Clinton

Drejtori i FBI James Comey tha sot se nuk ekzistojnë arsye për të ngritur akuza penale kundër ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton lidhur me përdorimin prej saj të një serveri privat gjatë kohës që ishte në këtë detyrë.

Zoti Comey tha se hetuesit kanë lexuar të 30 mijë emailat që zonja Clinton i kishte dorëzuar Departamentit të Shtetit në vitin 2014 dhe shtoi se 110 prej tyre përmbanin informacion të klasifikuar.

Drejtori i FBI-së tha e mundur që aktorë me synime armiqësore të kenë patur qasje në llogarinë e saj personale të emailit.

Sipas zotit Comey, hetuesit nuk gjetën prova se zonja Clinton mund të ketë fshirë qëllimisht emaila të saj. Por ai shtoi se zonja Clinton dhe stafi i saj “u treguan jashtëzakonisht të pakujdesshëm në trajtimin e informacionit tepër të klasifikuar nga ana e tyre.”

Megjithatë, tha ai, FBI-ja ka arritur në përfundimin se ngritja e akuzave në këtë rast do të ishte e papërshtatshme. “Asnjë prokuror i arsyeshëm nuk do të ngrinte akuza,” tha ai.

ÇËSHTJA SERVER, NJË PENGESË PËR KANDIDATEN CLINTON

Njoftimi vjen tri ditë pasi zëdhënësja e kandidates Clinton konfirmoi se ajo ka pasur një takim “vullnetar” me hetuesit mbi përdorimin e serverit personal të emailit. Intervista zgjati orë rreth tre orë e gjysmë në selinë e FBI-së në Uashington.

Zonja Clinton ka shpjeguar se duke përdorur llogarinë e emailit nga një server privat, në vend të një llogarie zyrtare nga një server i qeverisë, ajo donte të garantonte se korrespondenca e saj private do të mbetej e sigurt.

Analistë të jashtëm kanë thënë se duke përdorur një server të tillë korrespondenca e saj do të ishte më pak e sigurtë se sa ajo me një server qeveritar.

Në dy sondazhet e fundit të opinionit, rreth dy të tretat e të anketuarve kanë vënë në dyshim ndershmërinë e saj, ose kanë shprehur shqetësime në lidhje me besueshmërinë e saj.

Kjo është një pengesë që vetë zonja Clinton e ka pranuar.

Republikanët prej kohe janë përpjekur të shfrytëzojnë atë që ata e shohin si një nga pikat e dobëta kryesore të zonjës Klinton.

Kandidati i pritshëm republikan Trump, i është referuar asaj si “mashtruesja Clinton”. Të tjerë kanë lënë të kuptohet se ajo është trajtuar në mënyrë preferenciale.

Teori e aludime pas takimit Clinton-FBI

Teori të shumta po qarkullojnë në Uashington, pasi kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton u takua të shtunën me hetues të FBI-së në një seancë që zgjati tre orë, ku u diskutua fakti që zonja Clinton kishte përdorur serverin privat të emailit gjatë kohës që ka qenë Sekretare Shteti.

Intervista pritet të jetë akti përfundimtar para se të vendoset nëse zonja Clinton do të ndeshet me akuza nga Departamenti i Drejtësisë për shkelje ligji.

Takimi i së shtunës në selinë e FBI-së u zhvillua mbi baza vullnetare. Zonja Clinton ka thënë se dëshiron që ta mbyllë këtë çështje acaruese:

“E kam thënë disa herë, nëse do të kisha mundësi të kthehesha mbrapsht, do ta kisha trajtuar ndryshe këtë problem. E di që njerëzit kanë shprehur shqetësim”.

Rivali i saj republikan, Donald Trump bëri menjëherë komente në Twitter: “Nuk ka mundësi që FBI-ja të mos rekomandojë akuza penale kundër Hillary Clintonit. Ajo veproi gabim”.

Aleatët e zonjës Clinton nuk janë dakord.

“Nuk do të ketë ngritje akuzash. Ajo ka vepruar si shumë sekretarë shteti në të kaluarën,” thotë Senatori demokrat Sherrod Brown.

“Nëse nuk do të ishte Hillary Clinton, por dikush tjetër, së pari do ta kishin pushuar, së dyti Departamenti i Drejtësisë do të kishte ngritur akuza,” thotë ish-senatori Rick Santorum.

Intervista e zonjës Clinton u zhvillua disa ditë pasi supozime të shumta u ngritën për takimin e bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Clinton me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch, e cila është autoriteti vendim-marrës për procesin hetimor ndaj zonjës Clinton.

“Nuk e diskutoj që takimi im me zotin Clinton ngre shqetësime. Nuk do të ndodhë më, por ishte në fakt një takim thjesht shoqëror,” tha Prokurorja e Përgjithshme Lynch.

Është rregull i pashkruar në Uashington që zyrtarët të shmangin qoftë edhe përshtypjet që mund të ngjallin dyshime.

Zoti Donald Trump dhe republikanë të tjerë kanë aluduar se takimi dëshmon që Departamenti i Drejtësisë i administratës Obama nuk mund të kryejë një hetim të paanshëm për dikë që presidenti e ka mbështetur si pasuese të tij.

“Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë asnjë përfshirje,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se nuk ka në plan të përfshihet në çështjen e serverit:

“Presidenti shpreson që hetimi do të trajtohet si çdo çështje tjetër e kësaj natyre, që hetuesit do të mbështeten tek faktet,” tha zëdhënësi.

Zonja Clinton shpreson që hetimet e FBI-së të përfundojnë para Kuvendit Demokrat që zhvillohet në fund të muajit. Por për republikanët kjo çështje do të mbetet temë debatesh deri ditën e zgjedhjeve.

Amerika dhe certifikata e saj e lindjes

Sot mbushen 240 vjet që nga shpallja e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Që prej zbulimit të saj, Amerika është bërë sinonimi i tokës së premtuar për ata që dëshironin lirinë dhe suksesin. Termi “America”, u shfaq për herë të parë në një hartë gjermane të vitit 1507 që tashmë përbën një ndër reliket më të çmuara në katalogun kartografik të Bibliotekës së Kongresit amerikan.

Kuratori John Hessler fton vizitorët në pavionin e historisë para-koloniale në Bibliotekën e Kongresit, ku është vendosur harta e Waldseemullerit. Ky objekt unik ruhet në një stendë me xham të dyfishtë, të mbushur me gaz argon, ku nuk lejohen dritat e kamerave apo blici fotografik. Për vizitorët që duan të shohin më imtësisht hartën, Biblioteka e Kongresit ka ekspozuar edhe një kopje ekzakte:

“Kjo është Harta e Waldseemullerit e vitit 1507, një ndër hartat më të rëndësishme të krijuara në historinë e kartografisë. Biblioteka e Kongresit e bleu hartën, kryesisht për arsyen se është harta e parë që pagëzon Amerikën. Për këtë arsye është e rëndësishme, dhe është quajtur Certifikata e Lindjes së Amerikës, pasi është harta e parë që emërton kontinentin”.

Është hera e parë që termi “America” shfaqet në një formë të shkruar. Nuk dihet përse kartografi gjerman, Martin Waldseemuller zgjodhi të nderonte eksploruesin Amerigo Vespuçi dhe jo zbuluesin e kontinentit, Kristofor Kolombin me këtë emërtim. Kuratori Hessler ka teorinë e tij:

“Mënyra si unë preferoj ta analizoj është se Kolombi zbuloi Amerikën, por Vespuçi diti si ta shiste këtë zbulim. Vespuçi e reklamonte veten më shumë”.

Vespuçi kishte shkuar vetë në tokën e re dhe është i pari që e kuptoi gabimin e Kolombit, i cili ngulmonte se kishte gjetur një rrugë të re drejt Indisë, dhe jo një kontinent të ri.

“Waldseemuller kishte një ndihmës të quajtur Matthias Ringman, i cili shkonte shpesh në Firence. Amerigo Vespuçi ishte nga Firence. Vetë Mathias Ringman, para se të punonte për Waldseemullerin kishte përkthyer veprën e Vespuçit mbi udhëtimet e tij. Pra ai dinte shumë për Vespuçin dhe ka mundësi që këtë informacion kishte marrë edhe Waldseemuller”.

Pavarësisht se për ç’arsye kartografi Waldseemuller nderoi Vespuçin dhe jo Kolombin, emri ngjiti.

Përveç emërtimit të kontinentit, harta përmban enigma të tjera për pashpjegueshme për historianët e kartografisë. Waldseemuller i shton botës jo vetëm një kontinent të ri, por edhe Oqeanin Paqësor, vite para se Magelani të bënte udhëtimin rreth Amerikës së Jugut dhe të pagëzonte oqeanin e panjohur.

“Ai thjesht e tregon në hartë Paqësorin. Nuk i vë emër, por na lë të kuptojmë se ka diçka që e mbështjell këtë copë tokë. Gjeografi i lashtë grek, Ptolemeu, nuk e përfundoi ndonjëherë globin. Por Waldseemuller, në hartën e tij, na jep ndjesinë e tokës në formë sferike”.

Vështirë të imagjinohet se si një kartograf gjerman, në mes të maleve të Alsasës kishte kaq shumë informacion vetëm 15 vjet pas udhëtimit të Kolombit, në një kohë kur kontinenti i ri mbetej përgjithësisht i panjohur për evropianët dhe kolonizimi ishte ende në fillimet e tij. Si për t’i ngacmuar historianët, ai përfshin një hartë të vogël të Amerikës së Jugut që i përgjet shumë formës aktuale të kontinentit. Waldseemuller e kupton sa radikale është harta e tij krahasuar me mendimin e kohës dhe i kërkon publikut të ketë besim në informacionin që ofron, përmes një teksti të shkurtër në hartë:

“Është një pasazh i mrekullueshëm. Në latinisht ai thotë ‘nëse nuk jeni në dieni të zbulimeve të reja të Kolombit, Vespuçit, dhe shihni këtë hartë për herë të parë, mund të mbeteni të tronditur. Harta përfshin shumë gjëra që s’i keni parë përpara. Por nuk duhet të shqetësoheni, pasi kjo do të jetë forma e botës që do të mësoheni të shihni tani e tutje’”.

Për herë të parë, Harta e Waldseemullerit prezanton konfliktin mes njohurive të kohës dhe zbulimeve të reja që kishin përmbysur konceptet e mëparshme.

Historianët përpiqen t’i gjejnë përgjigje dilemës nëse Waldseemuller ishte thjesht me shumë fat kur përpiloi një hartë krejt të fantazuar, ose ndoshta kishte informata nga burime dhe detarë që nuk janë të njohur në ditët tona.

“Faktikisht nuk e dimë se si informacioni gjeografik transmetohej nëpër botë. Nuk e kemi të qartë se si përhapeshin hartat, se si njerëzit mësonin për zbulimet”.

E panjohura është ajo që i tërheq gjithmonë studiuesit. Në këtë aspekt, Harta e Waldseemullerit është një thesar ende i pazbuluar:

“Kjo hartë ka aq informacion sa të bësh studime serioze akademike, por jo informacion të mjaftueshëm sa të dalësh me konkluzione të prera. Si çdo dokument i vlefshëm historik, mund t’i rikthehesh vazhdimisht për studime të reja, dhe njerëzit do të vazhdojnë ta studiojnë për shekuj”.

Që nga zbulimi i saj në një kështjellë në Gjermani në 1901, Princi Wolfegg, pronari i kështjellës, është përpjekur t’ia shesë Bibliotekës së Kongresit këtë objekt të paçmueshëm. Dhe si me çdo objekt të paçmueshëm, edhe hartës iu gjet çmimi, por në fillim të shekullit XX, Biblioteka e Kongresit nuk arriti t’i grumbullonte fondet për shumën e kërkuar.

U deshën 100 vjet orvatje që më së fundi, në 2007, pasi kishte grumbulluar fonde nga donatorë privatë, Biblioteka e Kongresit e solli hartën në Shtetet e Bashkuara.

Akti nuk ishte thjesht një transaksion shit-blerjeje, pasi harta ishte pjesë e trashëgimisë kulturore të Gjermanisë. Shitja për një çmim prej 10 milionë dollarësh u finalizua me ardhjen e Kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington, për t’i dorëzuar Bibliotekës së Kongresit hartën e lindjes së Amerikës në një gjest miqësie mes dy vendeve.

“Kur blejmë objekte të tilla, e bëjmë për disa qëllime: për katalogun e bibliotekës dhe për t’i prezantuar bashkë me koleksionet e tjera. Por i blejmë edhe për t’ia prezantuar botës. Askush nuk do ta kishte parë po të kishte mbetur në një kështjellë gjermane”.

Çdokush në çdo cep të botës mund ta shohë tani hartën përmes imazheve dixhitale të Bibliotekës së Kongresit. Në bazë të marrëveshjes me Gjermaninë, harta është në ekspozim të përhershëm në mjediset e bibliotekës.

Shtetet e Bashkuara po kremtojnë 240 vjetorin e pavarësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kremtojnë të hënën 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania në një ditë feste mbushur me pikniqe, parakalime e fishekzjarrë gjithandej vendit.

Presidenti Barack Obama, do të presë familjarët e ushtarakëve në Shtëpinë e Bardhë dhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae.

Por, qendra e kremtimeve do të jetë përgjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivit Kombëtarë. Kjo është shtëpia e Deklaratës së Pavarësisë e hartuar nga Thomas Jefferson dhe e miratuar nga Kongresi më 4 korrik të vitit 1776.

Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga Jeffersoni 32 vjeçar.

Më shumë se çdo gjë, deklarata është një akuzë e ashpër ndaj mbretit George të Britanisë, duke e quajtur atë një tiran dhe duke thënë se ai ka injoruar në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.

Në mesin e 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh të trupave britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve të tyre tregtare me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.

Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.

Kremtimet e 4 korrikut përfshijnë leximin tradicional të Deklaratës së Pavarësisë, n shkallët e Arkivit Kombëtar. Brenda ndërtesës, dokumenti shfaqet për publikun krahas Kushtetutës dhe Kartës së të Drejtave.

Presidenti Obama dhe Hillary Clintoni së bashku në fushatë

Presidenti Obama dhe kandidatja e pritshme demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, do të zhvillojnë fushatë së bashku për herë të parë, të martën, në Sharlotë, të Karolinës së Veriut.

Në një miting që është në plan të mbahet të martën në Qendrën e Konventave në Sharlotë, zoti Obama dhe zonja Clinton pritet të diskutojnë për përparimin e bërë dhe për vizionin e tyre për Amerikën, thuhet në një deklaratë të fushatës së zonjës Clinton.

Presidenti Obama, e mbështeti zyrtarisht muajin e kaluar kandidaturën e zonjës Clinton si kandidate e pritshme e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkohë, zonja Clinton, u takua dje me zyrtarë të FBI-së në kuadrin e hetimeve për përdorimin e një serveri privat emaili gjatë periudhës kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Intervista u zhvillua vetëm katër javë përpara mbajtjes së konventës së Partisë Demokrate, e cila pritet të emërojë zyrtarisht zonjën Clinton si kandidate për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Obama: Wieseli ishte zëri moral dhe ndërgjegja e botës

VOAL – UASHINGTON – “Elie Wieseli ishte një ndër zërat moralë të kohëve tona, për shumëçka ishte ndërgjegja e botës.” Kështu presidenti i SHBA Barack Obama e kujton Nobelin e Paqes dhe të mbijetuarin e Shoahut, ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare, shkruan voal.ch.

“Sonte, Michelle dhe unë – thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë – iu bashkohemi njerëzve në Shtetet e Bashkuara, në Izrael dhe në gjithë globin me ngushëllimin për ndarjen nga jeta dhe në nderimin ndaj një jete njerëzore vërtet të jashtëzakonshme.”

SHBA 2016 – Hillary: Mezi prisja të flas me FBI-në për emailet

VOAL – UASHINGTON, 3 KORRIK – Hillary Clintoni pohon se mezi priste të flasë me FBI-në, shkruan voal.ch. Këtë pohim e bëri pasi u dëgjua në kuadrin e një hetimi lidhur me përdorimin e serverit privat për emailet gjatë mandatit të Sekretares së Shtetit.

Në një intervistë me NBC, që do të transmetohet sot e plotë, pasi janë dhënë tashmë pjesë të saj, kandidatja demokrate në garë për Shtëpinë e Bardhë, thotë se ndihet e lehtësuar nga mundësia për të ndihmuar Departamentin e drejtësisë që të dalë në konkluzionin e duhur.

Për bisedën, e cila zgjati tri orë e gjysmë dhe ku Hillary u vu në dispozicion vullnetarisht, ajo thotë se ishte shumë civile e profesionale, ndërsa përjashton çdo koment lidhur me përfundimet e hetimit, sikurse pohon se nuk di se kur do të dalin përfundimet e hetimit.

Zeri i Amerikës:Kryeprokurorja amerikane për hetimet rreth emailit të Hillary Clinton

VOAL – Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, tha sot se do të pranojë rekomandimet e zyrtarëve të karrierës të Departamentit të Drejtësisë që po shqyrtojnë përdorimin nga zonja Clinton të një server emaili privat, gjatë periudhës që ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Zyrtarët e FBI-së pritet ta përfundojnë hetimin e tyre së shpejti. Ekspertë ligjorë janë shprehur se nuk pritet ngritje akuzash penale për kandidaten demokrate për president.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, ka autoritetin të modifikojë akuzat që mund të ngrihen ndaj zonjës Clinton. Të tilla mosmarrëveshje ndërmjet FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë kanë ndodhur edhe më parë.

Por, një lëvizje e tillë tashmë do të ishte e debatueshme, në veçanti pasi u mësua për një takim të zhvilluar ndërmjet zonjës Lynch dhe ish-presidentit Bill Clinton.

Zonja Lynch tha se takimi 30-minutësh në pistën e aeroportit në Phoenix u përqëndrua më tepër në biseda shoqërore dhe se nuk bisedoi me Bill Clinton rreth çështjes së emailit.

Sipas disa ligjvënësve republikanë, ky takim mund të ketë kompromentuar hetimin, për të cilin janë shprehur vazhdimisht se nuk po menaxhohet me paanshmëri. Takimi është konsideruar i papërshtatshëm edhe nga disa ligjvënës demokratë.

Donald Trump, kundërshtari i ardhshëm politik i zonjës Clinton, tha se ishte i shtangur nga ky “takim tinzar” dhe se nuk kishte parë kurrë më parë diçka të ngjashme.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u treguan të kujdesshëm kur u pyetën dje për këtë çështje. Zëdhënësi Earnest tha se Presidenti Obama kërkon të mos ketë ndërhyrje politike në këtë hetim, por edhe lavdëroi zonjën Lynch për përgjigjet e saj.

Nga kampi i fushatës së zonjës Clinton nuk është komentuar për këtë çështje.

(Fotogaleri) Shtëpia fantastike ku do të banojë familja Obama

VOAL – Kur Presidenti Barack Obama të largohet nga Shtëpia e Bardhë në muajin janar, ai do të qëndrojë në Uashington dhe do të banojë në një shtëpi që ndodhet në një lagje historike të kryeqytetit. Gazetat kanë publikuar fotografi të shtëpisë së tij të ardhshme në lagjen Kalorama të Uashingtonit, e cila ka qenë edhe shtëpia e një presidenti amerikan në të kaluarën. Kur ai të shkojë për të banuar atje, trafiku në atë rrugë do të bllokohet, por tani për tani kalohet lehtë. Tetiana Harçenko e Zërit të Amerikës përgatiti këtë material.

Kjo video satirike tregon Barak Obamën duke kërkuar një punë të re. Ai e vë veten në role të ndryshme dhe shpreson që të paktën të marrë një patentë shoferi.

Zoti Obama e ka zgjedhur tashmë se ku do të banojë familja e tij pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Ai do të zhvendoset në një shtëpi të madhe në një lagje të pasur të Uashingtonit, të quajtur Kalorama.

Kjo shtëpi llogaritet të kushtojë rreth 6 milion dollarë. Zoti Obama nuk do të blejë atë, por do ta marrë me qera, e cila do t’i kushtojë rreth 22 mijë dollarë në muaj.

Presidenti ka thënë se do të qëndrojë në Uashington që vajza e tij e vogël, Sasha, të mund të vazhdojë mësimet në shkollën ku është tani.

Lagja Kalorama është mjaft prestigjoze dhe e sigurt. Arsyeja është e thjeshtë: aty ndodhen shumë ambasada dhe banojnë ambasadorë si dhe zyrtarë të lartë të Uashingtonit.

Banorët janë mësuar me praninë e vazhdueshme të policisë dhe të shërbimit sekret. Historiani i lagjes, Steven Hansen, thotë se me ardhjen e familjes Obama kjo zonë do të bëhet edhe më e sigurtë.

“Mendoj se fqinjët do ta vlerësojnë ardhjen e Presidentit Obama në lagje. Po flitet se rruga do të mbyllet për trafikun dhe aty do të qarkullojnë vetëm banorët. Siguria do të rritet dhe banorët nuk ka pse të aktivizojnë sistemet e alarmit natën, sepse lagja do të mbrohet mirë dhe, në fund të fundit, kjo mund të ngrejë çmimet e shtëpive të tyre.”

John Horan, i cili jeton në afërsi të lagjes, e shëtit çdo ditë qenin e tij, Tiger, në lagjen Kalorama. Ai është i kënaqur që zoti Obama ka vendosur të qëndrojë në Uashington.

“Kjo nuk duhet të ndikojë shumë në lagje, sepse aty banojnë diplomatë nga e gjithë bota dhe zyrtarë amerikanë. Ata janë mësuar me idenë e forcave të sigurisë, ata e kuptojnë respektin që duhet treguar ndaj këtyre njerëzve, që kanë dhënë nga jeta e tyre për për shërbimin publik.”

Zoti Obama do të jetë presidenti i dytë amerikan që do të qëndrojë në kryeqytet pas përfundimit të mandatit. Woodrow Wilson ishte i pari. Ai jetoi në të njëjtën lagje, ku pritet të banojë Presidenti Obama.

Shtëpia e Wilsonit shërben sot si muze për vizitorët. Ajo shumë afër shtëpisë së ardhshme të familjes Obama.

“Këtu është ruajtur rreth 95 për qind e asaj që ishte dikur.”

Robert Enholm u tregon vizitorëve shtëpinë e Presidentit Wilson. Këtu ka shumë gjëra interesante për të parë, duke përfshirë mozaikë nga Vatikani, mobilie franceze dhe, në bibliotekën Wilson, një projektor të vjetër filmi.

Enholm sheh disa ngjashmëri në vendimin e presidentëve Wilson dhe Obama për të qëndruar në Uashington pas largimit nga detyra.

“Në një farë mënyre historia e shtëpisë sonë është historia e presidentëve që lënë detyrën dhe qëndrojnë në kryeqyteti për të qenë aktivë në politikë. Ky ishte padyshim një nga objektivat e Presidentit Wilson, dhe ndoshta presidenti Obama do të kuptojë se është një avantazh i madh të vazhdosh të banosh në Uashington.”

Nëse vazhdon të qëndrojë në Uashington, zotit Obama nuk i mbetet tjetër përveçse të marrë pjesë aktive në politikë, pa u shqetësuar aspak se nuk do të gjejë punë, siç shprehet në videon e tij satirike.

2401 Kalorama Rd NW, Washington D.C.

çmimi: $7,500,000

 

1

2016-07-02_11-53-072016-07-02_11-53-332016-07-02_11-54-042016-07-02_11-54-372016-07-02_11-55-002016-07-02_11-55-392016-07-02_11-56-082

34

17f08d06c517c72a464a5f161199b280l-m8xd-w1020_h770_q805678910

11

 

Zeri i Amerikës: Nju Xhersi, pyetjet në gjykatë për Bilal Shehun

Zëri i Amerikës ka mësuar se fondet prej 80 mijë dollarësh që përmenden në akuzën ndaj shtetasit Bilal Shehu janë me origjinë nga Shqipëria. Sipas akuzës, personi në fjalë u përpoq të bëjë transferimin e këtyre fondeve për fushatën elektorale të presidentit Obama dhe për të futur në një takim elektoral një shtetas të huaj, i cili ndonëse nuk hyri dot, arriti të bëjë një fotografi me presidentin Obama.

Ja pyetjet që iu drejtuan në seancën gjyqësore shtetasit Bilal Shehu me banim në Paramus të Nju Xhersit, i cili pranoi fajësinë se kishte ndihmuar për të fshehur kontribute të huaja gjatë fushatës presidenciale të vitit 2012 në SHBA.

I akuzuari iu përgjigj pozitivisht të gjitha pyetjeve:

1. Gjatë, ose rreth muajit tetor 2012, në Distriktin e Nju Xhersit dhe gjetkë, a keni ndihmuar dhe nxitur me dijeninë dhe dëshirën tuaj individë të tjerë, duke përfshirë Shtetasin e Huaj 1, shtetas i Greqisë dhe Shtetasin e Huaj 2, për të kontribuar me rreth 80 mijë dollarë nga Personi i Huaj 1 dhe Kompania e Huaj 1 për një komision të përbashkët për mbledhje fondesh (më poshtë “Komisioni i Përbashkët për Mbledhje Fondesh”), i cili përfshinte komisionin e autorizuar të fushatës për Presidentin Obama?

2. Afërsisht gjatë muajit shtator 2012, a keni mësuar rreth një plani për të mundësuar Shtetasin e Huaj 2 që të merrte pjesë në një aktivitet fushate, që do të mbahej më 8 tetor 2012, në San Francisco të Kalifornisë (“Aktiviteti i San Franciscos për Mbledhje Fondesh”)?

3. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a mësuat gjithashtu se Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh do t’i jepeshin fonde prej rreth 80 mijë dollarë përpara 8 tetorit 2012, me qëllim që dy individë të merrnin pjesë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh në atë datë?

4. A mësuat gjithashtu se, për të hyrë në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, një jo-shtetas që kërkon të marrë pjesë duhet të jetë i shoqëruar nga një shtetas amerikan?

5. A mësuat gjithashtu se, sipas ligjit amerikan, jo-shtetasi nuk mund të jetë burim i një kontributi prej rreth 80 mijë dollarësh, që do të thotë se e tërë shuma prej 80 mijë dollarësh duhet të dhurohet nga shtetasi amerikan, që shoqëron të ftuarin jo-shtetas?

6. A ratë dakord të merrnit pjesë bashkë me Shtetasin e Huaj 2 në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, për të mundësuar kështu hyrjen në Aktivitet të Shtetasit të Huaj 2 përmes statusit tuaj si shtetas amerikan?

7. A ratë dakord gjithashtu të shërbenit si kontribues i shumës prej 80 mijë dollarësh për Komisionit e Përbashkët për Mbledhje Fondesh, pra të pranonit fonde prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj, të cilat do t’ia jepnit pastaj Komisionit të Përbashkët, duke bërë që të dukej sikur ky ishte kontribut i juaji personal?

8. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a i dhatë një tjetër individi në SHBA emrin, datëlindjen dhe informacionin tuaj personal si dhe atë të gruas suaj, me dijeninë se këto informacione do t’i jepeshin Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh, në pritje të pjesëmarrjes suaj në Aktivitetin e San Franciscos?

9. A i dhatë të njëjtit individ informacionin e llogarisë suaj bankare, duke e ditur se ky do të përdorej për transferimin e rreth 80 mijë dollarëve, nga një burim i huaj tek llogaria juaj personale, që ju kishit rënë dakord t’ia kalonit pastaj Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

10. Gjatë, ose nga fundi i muajit shtator 2012, a morët një shumë prej rreth 80 mijë dollarësh, me transfertë elektronike, në llogarinë tuaj bankare në Nju Xhersi nga llogaria e Shtetasit të Huaj 1, duke e ditur se këto nuk ishin para që ju takonin dhe që ju do t’ia dorëzonit Komisionit të Përbashkët për Mbledhje Fondesh?

11. Në ose rreth datës 29 shtator 2012, ndërsa ishit në Nju Xhersi, a i përdorët ju dhe gruaja juaj këto 80 mijë dollarë për të blerë dy çeqe bankare në emrin tuaj dhe të gruas suaj për 70 mijë dhe 10 mijë dollarë?

12. A ia dërguat ju më pas këto çeqe Komisionit për Mbledhje Fondesh për të siguruar hyrjen në Aktivitetin e San Franciscos për veten dhe për Shtetasin e Huaj 2?

13. Në fillim të tetorit 2012, a shkuat ju me avion në San Francisco, ku shoqëruat Shtetasin e Huaj 2 në vendin ku do të mbahej Aktiviteti për Mbledhje Fondesh?

14. A iu mohua Shtetasit të Huaj 2 hyrja në Aktivitetin e San Franciscos për Mbledhje Fondesh, por iu lejua të bënte fotografi me Presidentin e Shteteve të Bashkuara?

15. Duke vënë në jetë këtë skemë, a vepruat ju me dijeninë dhe me dëshirën tuaj?

16. A jeni fajtor për akuzën e ngritur në Informacion?

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu

 

Debati për foton e Ramës me Obamën

Zëri i Amerikës siguron pyetje përgjigjet në prokurorinë e Nju Xhersit të shtetasit shqiptaro-amerikan Bilal Shehu, i cili dyshohet se mundësoi foton. Paratë që derdhi për fushatën e Obamës u nisën nga Shqipëria. Rama mohon të ketë ofruar para.

Në Shqipëri është rikthyer debati rreth një foto të kryeministrit aktual Edi Rama me presidentin Barack Obama, të realizuar në vitin 2012. Çështja u rihap pasi qytetari amerikan me origjinë shqiptare Bilal Shehu, i cili mendohet se ndihmoi në atë kohë zotin Rama, kryetar i opozitës, të realizonte foton, pasi kishte derdhur 80 mijë dollarë kontribute për fushatën e presidentit Obama, pranoi se kishte shkelur ligjet amerikane. Zëri i Amerikës ka mësuar se burimi i parave ka qenë nga Shqipëria. Në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri Rama hodhi poshtë çdo akuzë për kryerjen e veprimeve financiare për realizimin e fotos.

Aktet e procesit gjyqësor ndaj Bilal Shehut, shqiptarit me banim në Nju Xhersi, lidhur me financimin me burime të huaja të fushatës së presidentit Obama, dëshmojnë, sic dhe e ka pranuar, se në shtator të vitit 2012 ka ndihmuar dy shtetas të huaj që të japin një kontribut orej 80 mijë dollarësh. Në pyetjet drejtuar Shehut, të cilat janë siguara nga Zëri i Amerikës, nuk përmenden emra, por të dy shtetasit cilësohen si i Huaji 1 dhe i Huaji 2. I Huaji 1 rezulton të jetë qytetar grek, përmes një kompanie të të cilit rezulton të jetë bërë dhe lëvrimi i fondeve. Zëri i Amerikës ka mësuar gjithashtu nga burime zyrtare se paratë që janë kaluar në llogarinë e Shehut janë dërguar nga Shqipëria.

Nga procesi i pyetjeve rezulton se financimi për fushatën do të bëhej me qëllim që dy personat të merrnin pjesë në një takim të mbledhjes së fondeve më 8 tetor të vitit 2012. Ligjet amerikane ndalojnë financimet nga jashtë për fushatë. Po ashtu dhe pjesmarrja e të huajve në ceremonitë e mbledhjeve të fondeve është e ndaluar, përjashto rastet kur ata shoqërohen nga shtetas amerikanë. Shehu ka pranuar se do të shoqëronte në ceremoninë e San Franciskos të Huajin 2 dhe se e ka bërë këtë në muajin tetor. Po ashtu ai ka pohuar se të Huajit 2 nuk i është lejuar hyrja, por vetëm një foto me presidentin Obama.

Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook me 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë më zotin Rama.

Foton e tij me presidentin Obama, zoti Rama e shpërndau në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Mënjehërë u hodhën dyshimet se fotoja ishte realizuar falë Bilal Shehut. Që në atë kohë u bë i njohur fakti se Shehu kishte dhënë donacione prej 80 mijë dollarësh. Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u kërkoi menjëherë autoriteteve amerikane të hetonin burimin e parave që siç theksonte ai ishin “përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar”.

Sot zoti Rama reagoi për këtë cështje pas akuzave të ngritura më herët nga partia demokratike si dhe publikimit nga mediat lokale të vendimit të pranimit të fajësisë nga ana e Shehut, duke folur për “manipulim mediatik”. Zyra e tij theksoi në një deklarata se “Kryeministri Edi Rama, as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara”, por ai nuk sqaron nëse ka qenë në dijeni apo jo nëse një subjekt tjetër ka kryer pagesën për të mundësuar pagesën apo fotografinë e tij.

Lidhur me njohjet e tij me Bilal Shehun, shpjegohet se ai “është pjesëtar i komunitetit shqiptar në Neë York dhe është takuar me delegacionin shqiptar në SHBA në vitin 2012. Por në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”. Në deklaratë megjithatë nuk përmendet se ku është bërë takimi me Shehun. Sipas një shkrimi të botuar kohë më parë nga agjencia BIRN, Shehu ka postuar në Facebook më 8 tetor, ditën kur është zhvilluar ceremonia e mbledhjes së fondeve, një fotografi të tijën me Presidentin Obama dhe një tjetër po në të njejtën ditë me zotin Rama.

Partia demokratike e akuzoi zotin Rama se ka paguar 80 mijë dollarë për një foto me presidentin amerikan për të mashtruar shqiptarët. Kryetari Lulzim Basha ngriti një sërë pyetjesh drejtuar kryeministrit: “Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohe kur kishte deklaruar një pasuri prej 3 mijë eurosh? Apo janë para ryshfeti e korrupsion? Cili është burimi i tyre? Çfarë ka marrë në këmbim të këtyre parave sponsorizuesit?”

Zoti Basha kërkoi që edhe prokuroria shqiptare të nisë një hetim për këtë cështje.

SHBA, arrestohet vajza e ish-nënpresidentit amerikan Al Gore

Karenna Gore së bashku me 22 demonstrues të tjerë u arrestuan gjatë protestave për shkak të ndërtimit të gazsjellësit

BOSTON – E bija e ish-zëvendëspresidentit amerikan Al Gore, Karenna u arrestua në Boston gjatë një demonstrate kundër gazsjellësit në ndërtim e sipër.

Tubacioni West Roxbury i takon kompanisë Spectra Energy. Përveç Gore janë arrestuar edhe 22 persona të tjerë.

Në një deklaratë të grupit protestues “Resist the Pipeline & Stop the West Roxbury Lateral” theksohet se Karenna Gore gjatë demonstratës së bashku me disa demonstrues të tjerë u shtrinë në hendekun e gërmuar për vendosjen e tubave, në përpjekje për të penguar punët ndërtimore. aa

Michelle Obama vizitë në Madrid

Michelle Obama, gjendet për vizitë në Madrid për ta prezantuar projektin të cilin e ka iniciuar me emrin “Let Girls Learn” (Lërini vajzat të mësojnë)

MADRID – Zonja e parë e SHBA-ve, Michelle Obama, gjendet për vizitë në Madrid për ta prezantuar projektin të cilin e ka iniciuar me emrin “Let Girls Learn” (Lërini vajzat të mësojnë), raporton Anadolu Agency (AA).

Michelle Obana projektin “Let Girls Learn” e kishte shfaqur në maj të vitit 2015, duke filluar kështu një nismë e cila ka për qëllim largimin e të gjitha barrierave ekonomike dhe shoqërore që pamundësojnë shkuarjen në shkollë për mbi 62 milionë vajza në botë.

Ajo fillimisht kishte vizituar Liberinë më 27 qershor dhe Marokun më 28 qershor në mënyrë që ta prezantojë projektin dhe të kërkojë mbështetje për të, ndërsa sot prezantimin e realizoi në qendrën arsimore Matadero në kryeqytetin spanjoll, Madrid. Ndërkaq, Michelle Obaman që ka ardhur së bashku me vajzat e saj Malia dhe Sacha po i shoqëron edhe Mbretëresha e Spanjës Letizia.

– Përkujtohen të vrarët në sulmin në Aeroportin Ataturk

Në fillim ta fjalimit të saj, Obama foli në lidhje me sulmin në Aeroportin Atatruk të Stambollit, duke thënë se “I gjithë solidariteti ynë është me familjet e personave që humbën jetën si pasojë e sulmit. Dhimbjet e tyre i ndiejmë edhe në zemrat tona dhe jemi shumë të pikëlluar. Edhe Mbretëresha Letizia, duke e dënuar sulmin, tha se solidarizohen me popullin e Turqisë.”

Duke thënë se projekti “Let Girls Learn” është shumë i rëndësishëm, Obama u shpreh se “është e nevojshme që vajzat e vogla të shkojnë në shkollë në mënyrë që t’i realizojnë ëndrrat, të kontribuojnë për të ardhmen e familjeve dhe shteteve të tyre dhe t’i zhvillojnë kushtet shëndetësore dhe ekonomike në shtetet ku jetojnë.”

Obama vuri në pah se sipas shifrave të UNICEF-it, në vendet e Afrikës veriore dhe Lindjes së Mesme, një nga katër fëmijë nuk shkon në shkollë ose e ndërpret mësimin dhe shtoi se moslejimi i vijimit të procesit arsimor për më shumë se 62 milionë vajza lidhet me të ardhmen e shoqërive.

SHBA gati të strehojë mbi 10 000 refugjatë sirianë

Shtetet e Bashkuara janë gati të mbajnë premtimin e tyre për të pritur 10 000 refugjatë sirianë deri më 1 tetor, pavarësisht bllokimit administrativ, garantoi sot ministri i Sigurisë së Brendshme, Jeh Johnson.

“SHBA-ja sapo ka kaluar nivelin e 5 000 refugjatëve siriane dhe 5 000 – 6 000 krëkesa të tjera janë miratuar”, vazhdoi Johnson.

“Pra mendoj se ne do e kalojmë nivelin e 10 000 refugjatëve sirianë”, deklaroi ai para një komisioni të Senatit.

Duke cituar krizën humanitare të gjeneruar nga lufta civile në Siri, presidenti amerikan Barack Obama kishte bërë thirrje për të pritur refugjatë sirianë gjatë vitit buxhetor 2016, që përfundon më 30 shtator.

Trumpi: Do e përfshij NATO-n kundër IS-it

Kandidati i mundshëm republikan për president të SHBA-ve, Donald Trumpi, ka thënë se ai do e ringjallte aleancën ushtarake duke e përdorur në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Kohë më parë, Trumpi e quante NATO-n të “papërdorshme”.

“Më pëlqen ideja e përdorimit të NATO-s por edhe vendeve fqinj që nuk janë në NATO dhe do i kontrollojmë ata. Ne duhet t’i kontrollojmë”, i ka thënë Trump televizionit ABC gjatë një interviste më 30 qershor.

Trumpi më parë ka thënë se NATO duhet të “rregullohet ndryshe që të luftojë terrorizmin” të cilin ai e sheh si kërcënimin primar për SHBA-të.

“Unë kam qenë personi që kam thënë se NATO është e papërdorshme sepse ata nuk e mbulojnë terrorizmin si duhet”, ka thënë ai.

Trump i ka thënë ABC-së se ai e ka një plan për shkatërrimimin e IS-it, mirëpo nuk ka pranuar të jap detaje. “Ne do i godasim ata shumë fuqishëm, kjo është e vërtetë. Është shumë e mundshme që ne ta perdorim NATO-n”.

Drejtori i CIA-s: Sulmi në Stamboll mban vulën e IS-it

Drejtori i CIA-s, John Brennan

Sulmi vetëvrasës në Aeroportin Ataturk të Stambollit mban “vulën” e grupit militant Shteti Islamik, tha drejtori i CIA-s, John Brennan.

Asnjë grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin, i cili ka vrarë 42 veta dhe ka plagosur 239 të tjerë.

“Shpërthimet e neveritshme në Aeroportin Ndërkombëtar të Stambollit, të cilat kanë vrarë dhjetëra njerëz dhe kanë plagosur shumë të tjerë, mbajnë sigurisht vulën e degjenerimit të Shtetit Islamik”, tha Brennan.

Tre sulmues vetëvrasës kanë hedhur veten në erë në aeroportin Ataturk të martën mbrëma.

Edhe autoritetet turke kanë fajësuar militantët e Shtetit Islamik.

SHBA: Vazhdojmë mbështetjen ndaj Turqisë, partnerit dhe aleatit të NATO-s

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest njoftoi se shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave të sulmit

UASHINGTON – Shtëpia e Bardhë ka dënuar sulmin terrorist që të martën mbrëma ndodhi në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest njoftoi se shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave të sulmit.

“SHBA-të në mënyrën më të ashpër dënojnë sulmin e neveritshëm terrorist që ndodhi në aeroportin ndërkombëtar ‘Ataturk’ në Stamboll, ndërsa në të cilin humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra persona”, theksoi Earnest.

Ai shtoi se SHBA-të edhe më tej mbështesin, siç theksoi, partnerin dhe aleatin e tyre në NATO.

“Derisa zhvillojmë luftën kundër kërcënimit terrorist, së bashku me miqtë dhe aleatët tjerë në botë, vazhdojmë mbështetjen ndaj Turqisë, partnerit dhe aleatit të NATO-s”, porositi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë pas sulmit terrorist në Stamboll.

Sipas të dhënave të fundit, numri i të vdekurve gjatë sulmit është rritur në 36 persona, ndërsa 147 të tjerë janë plagosur, të cilët janë transferuar në spitalin më të afërt.aa

Obama: Votuesit britanikë reaguan ndaj zhvillimit të ngadalshëm

Presidenti amerikan, Barack Obama ka thënë se zhvillimi i ngadaltë ekonomik dhe zgjerimi ambicioz dhe planet e integrimit të BE-së mund ta kenë shtyrë votuesin britanik që të votojë për të dal nga blloku evropian.

Gjatë një interviste të mbrëmshme me radion publike amerikane, NPR, Obama ka thënë se ekonomia në eurozonë nuk ka shënuar ngritje sikur ekonomia amerikane prej krizës financiare të vitit 2008 dhe se BE është ngutur që të zgjerohet pa e pasur konsensusin e nevojshëm.

“Unë mendoj që mënyra më e mirë për të menduar për këtë është se është shtypur butoni i pauzës mbi projektin e integrimit të plotë evropian”, ka thënë ai. “Nuk do e teproi me këtë pasi ka pasur pak a shumë reagime histerike pas votimit për BREXIT, sikur tani NATO nuk ekziston më, se aleanca trans-atlantike është duke u shpërbërë dhe se çdo vend është duke u strukur në këndin e tij. Kjo nuk është duke ndodhur”, ka thënë Obama.

Obama vëren disa ngjajshmëri në mes të referendumit në Britani dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA. Ai thotë se disa politikanë kanë arritur të shfrytëzojnë frikën e votuesit për humbjen e kontrollit derisa ofrojnë “ndjenja nostalgjike dhe të paqarta rreth asaj se si…do e bëjmë Britaninë të mrekullueshme sërish, apo do ta bëjmë Amerikën të mrekullueshme sërish”.

Por, Obama ka thënë se nuk beson që kandidati nga Partia Republikane amerikane për president, Donald Trump është zëdhënës legjitim për klasën punëtore në asnjëren anë të Atlantikut.

NATO për herë të parë me zëvendësshefe

Sekretari i përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, tha sot në Bruksel, se zonja Gottemoeller “do të sjellë në NATO një përvojë të pasur në politikën e sigurisë ndërkombëtare dhe në fushat siç janë kontrolli i armatimit dhe marrëdhëniet me Rusinë”.

Zëvendës-sekretari i përgjithshëm është posti i dytë më i lartë civil në NATO.

Stoltenberg tha se Gottemoeller do të jetë femra e parë që e ka mbajtur një post të tillë dhe ka vlerësuar se ky është “një moment historik në NATO”, transmeton REL.

Aktualisht Gottemoeller është këshilltare e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për kontroll të armatimit, mos-zgjerim dhe çarmatim, ka njoftuar NATO.

Në këtë post ajo e zëvendëson, paraardhësin, Alexander Verbshow, që ka shërbyer prej shkurtit të vitit 2012.

NATO-ja tha se Gottemoeller do ta filloj punën në postin e ri në muajin tetor.

Kerry sot bisedime në Romë, Bruksel dhe Londër

ROMË – Kerry do të japë “mesazhe mbështetëse”, si dhe përgjigje dhe sugjerime për situatën e re apo të krizës në fushën e ekonomisë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry do të vizitojë Romën, Brukselin dhe Londrën për t’u takuar me zyrtarë më të lartë britanik dhe të Bashkimit Evropian (BE) pas vendimit historik të Britanisë për tu larguar nga Bashkimi Evropian.

Kerry do të japë “mesazhe mbështetëse”, si dhe përgjigje dhe sugjerime për situatën e re apo të krizës në fushën e ekonomisë.

Kryediplomati amerikan fillimisht sot do të udhëtojë në Romë, ku do të takohet me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarët italianë.

Është planifikuar që të njëjtën ditë Kerry të vizitoj Brukselin ku do të zhvillojë bisedime me shefen e politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini. Sekretari amerikan i Shtetit në Londër do të takohet me sekretarin britanik për punët e jashtme, Philip Hammond para se të kthehet në Washington në fund të ditës. aa


Send this to a friend