Në SHBA, dy kandidatët për nënpresident, demokrati Tim Kaine dhe republikani Mike Pence u përballën mbrëmë në debatin e vetëm me tyre, shpesh duke ndërprerë njëri-tjetrin dhe duke argumentuar qëndrimet mbi emigracionin, ekonominë dhe sigurinë e vendit.
Ata shprehën mendime mjaft të ndryshme rreth pothuajse të gjitha çështjeve me rëndësi për vendin.
Kaine, senator i shtetit Virxhinia, dhe Pence, guvernator i shtetit të Indianës, u përpoqën të mbrojnë kandidatët përkatës për president, Hillary Clinton dhe Donald Trump, shpesh duke u përplasur ashpër në çështje të ndryshme.
Zoti Kaine kërkoi që kandidati republikan Trump të publikojë taksat, që shumë demokratë besojnë se do të tregojnë se ai ka paguar pak, ose aspak tatime federale mbi të ardhurat për vite me rradhë. Zoti Pence e mbrojti miliarderin Trump si një biznesmen të zgjuar që ka krijuar mijëra vende pune.
Kandidati për nën-president, Senatori Tim Kaine gjatë debatit
Kandidatët ndërpresin njëri-tjetrin
Gazetarja e televizionit CBS News, Elaine Quijano, e cila moderoi debatin në Universitetin Longwood në Farmville të Virginias, i qortoi disa herë kandidatët për ndërprerjet që u bënin njëri-tjetrit. Ndërprerjet ishin të tilla që publiku shpesh nuk arrinte të dëgjonte se çfarë thoshin.
Zoti Kaine tha se shkurtimet e taksave të propozuara nga zoti Trump do të favorizonin amerikanët e pasur dhe do ta kthenin ekonominë amerikane në recesion. Zoti Pence e kundërshtoi, duke ngritur akuzën se planet ekonomike të zonjës Clinton do të sillnin edhe më shumë dëm, duke rritur ndjeshëm taksat dhe duke hequr kufizimet në shpenzimet e qeverisë.
Kandidatët e ndërprenë njëri-tjetrin edhe gjatë një segmenti kur u pyetën për krimin kibernetik, në të cilin Pence ngriti çështjen e përdorimit të një serveri privat emaili nga zonja Clinton kur ishte sekretare shteti.
Në lidhje me Sirinë, kandidati Pence tha se një udhëheqje e fortë amerikane do të parandalonte ngjarje të tilla si lufta civile në Siri. Ai bëri thirrje gjithashtu për sulme ushtarake në Siri, nëse Rusia nuk tërhiqet.
Gjatë një segmenti, në të cilin zoti Kaine kritikoi kandidatin Trump për fyerje kundër grave, pakicave dhe të tjerëve, zoti Pence u përgjigj duke thënë se zonja Clinton ka fyer më shumë amerikanë kur e cilësoi një pjesë të mbështetësve të zotit Trump si një “shportë qaramanësh”.
Në pjesën më të madhe të kohës, kandidatët dilnin shpesh nga tema për të kritikuar kandidatët presidencialë të palës rivale.
Guvernatori i Indianës Mike Pence i përgjigjet Senatorit Tim Kaine
Kandidatët reklamojnë përvojat
Gjatë debatit, secili kandidat për nënpresident foli mbi përvojën e tij. I pyetur se përse do të ishte në gjendje të merrte drejtimin e vendit nëse e kërkonte nevoja, zoti Kaine përshkroi përvojën e tij politike në të gjitha nivelet e qeverisjes – si një këshilltar qyteti, si kryetar bashkie, si zëvendës guvernator dhe si senator.
Ai vlerësoi kandidaten Clinton, duke thënë se ajo ka një pasion për t’u shërbyer të tjerëve, ndërsa zoti Trump shikon në radhë të parë interesat e veta.
Nga ana e tij, zoti Pence tha se edhe ai ka patur një përvojë politike të dobishme në jetë, duke u ngritur nga një bir i një qyteti të vogël të Indianës, e deri te përfaqësimi i këtij shteti në Kongres dhe fitorja në zgjedhje si guvernator.
Ai mori në mbrojtje zotin Trump duke akuzuar rivalët Clinton dhe Kaine se bëjnë një fushatë që bazohet në fyerje.
Përtej çështjeve për të cilat diskutuan kandidatët, rëndësia e vërtetë e këtij debati qëndron tek ndryshimi që mund të sjellë ai në tërheqjen e mbështetjes së votuesve të pavendosur.
Në vitin 2008, përballja mes kandidatëve për nënpresident Joe Biden dhe Sarah Palin tërhoqi audiencën më të madhe ndonjëherë në debate të tilla, 70 milionë shikues.
Debati i dytë Clinton-Trump është planifikuar për të dielën në Seint Luis të shtetit Mizuri.