VOAL

VOAL

Trumpi emëron zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë

Uashington, 23 dhjetor – Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka përfunduar së formuari ekipin e tij të komunikimit, duke bërë zëdhënësin aktual të partisë republikane zërin e Shtëpisë së Bardhë dhe të administratës së tij të ardhshme.

Sean Spicer u emërua zëdhënës i ekzekutivit dhe do të ngarkohet gjithashtu me marrëdhëniet me median, sipas një komunikate të ekipit të tranzicionit të Donald Trump, që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Tre persona të tjerë janë emëruar gjithashtu në ekipin e tij të komunikimit. Jason Miller, drejtor i komunikimit, Dan Scavino, drejtor për median sociale dhe Hope Hicks, që është zëdhënësi aktual i ekipit të tranzicionit të presidentit të ardhshëm, do të drejtojë strategjinë e komunikimit.

Trumpi kërkon të shtojë arsenalin bërthamor të SHBA-ve

Presidenti i zgjedhur Donald Trump tha se kërkon “të forcojë dhe zgjerojë” kapacitetet bërthamore të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump tha në Tweeter sot se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime të tilla “derisa bota të kuptojë seriozitetin e armëve bërthamore”.

((https://twitter.com/realDonaldTrump/status/811977223326625792))

Deklarata e zotit Trump vjen një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin bëri komente të ngjashme duke thënë se arsenali bërthamor i vendit të tij duhet “të shtohet në mënyrë të konsiderueshme.”

Gjatë një fjalimi për fushata të ndryshme ushtarake që Rusia ka nisur në vitin 2016, zoti Putin tha se përmirësimet janë të nevojshme për të “neutralizuar çdo kërcënim ushtarak”.

Sulmi në Orlando: Familjet e viktimave padisin rrjetet sociale

Të afërmit e tre prej 49 viktimave të sulmit që ndodhi verës në një klub nate në Florida e kanë paditur Twitterin, Google dhe Facebook-un me akuzën se këto rrjete sociale kanë ofruar “përkrahje materiale” për autorin e sulmit.

Omar Mateen ka vrarë 49 persona në klubin e natës, Pulse në Orlando në muajin qershor, sulm ky i cilësuar më i rëndi me armë zjarri në historinë moderne amerikane.

Mateen, që është vrarë nga policia pas sulmit, ishte vetdeklaruar si përkrahës i grupit militant, Shteti Islamik.

Familjet e tre viktimave të këtij sulmi, pretendojnë se Twitter, YouTube që është pronë e Google dhe Facebook kanë “mundësuar që grupi terrorist të ketë profile dhe përmes tyre të shpërndajnë propagandë ekstremiste, të mbledhin fonde dhe të sigurojnë rekrutë të rinjë”.

Padia thotë se “përkrahja materiale ka qenë instrumentale” për rritjen e IS-it duke “mundësuar për ta që të kryejnë sulme apo të shkaktojnë kryerjen e shumë sulmeve terroriste”.

Padia është bërë më 20 dhjetor në një gjykatë federale të Detroitit, ndërsa të njejtën ditë, Facebook përmes një komunikate ka thënë se ata janë të “përkushtuar që të ofrojnë shërbime aty ku njerëzit ndjehen të sigurt për të përdorur Facebook-un”.

Facebook, Google, Twitter, dhe Microsoft kanë thënë gjatë këtij muaji se ata do e përmirësojnë bashkëpunimin në mes tyre për heqjen e përmbajtjes ekstremiste.

SHBA: Sanksione shtesë për disa rusë, Kremlini i kritikon ato

Yevgeny Prigozhin është i përfshirë në listën e re të sanksioneve të Shteteve të Bashkuara

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për imponim të sanksioneve kundër disa individëve dhe organizatave për shkak të agresionit të Moskës në Ukrainë.

Zoti Peskov tha sot se sanksionet janë për “keqardhje” dhe ka theksuar se këto masa janë “kokëfortësi shkatërruese e një pjese të kolegëve tanë amerikanë”.

Sipas tij, politika e Shteteve të Bashkuara për imponim të sanksioneve “shkakton dëm serioz në raportet tona biletarale” dhe Rusia “do të ndërmerr masa adekuate” në përgjigje të sanksioneve më të reja amerikane.

Shtetet e Bashkuara mbrëmë kanë imponuar sanksione kundër më tepër shtetasve të Rusisë, për shkak të aktivitetit të Moskës në Ukrainë.

Ndër individët e përfshirë në këtë valë të sanksioneve është edhe një person i njohur se është i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në listën e sanksioneve të Departamentit të thesarit të Shteteve të Bashkuara, janë shtuar shtatë rusë dhe dhjetëra kompani në Rusi dhe Krime, që është ishull në Detin e Zi të cilin Moska e ka aneksuar ilegalisht nga Ukraina, në vitin 2014.

Ndër emrat e përfshirë gjendet edhe personi, Yevgeny Prigozhin, biznesmen nga Shën Petersburgu, kompania e të cilit ishte furnizuese e Kremlinit.

Kerry hedh poshtë spekulimet se SHBA është e implikuar në atentatin e ambasadorit rus

Kirby në brifingun e rregullt tha se Kerry “ka shprehur shqetësim për disa spekulime se Amerika është e përfshirë në atentatin apo e ka mbështetur”

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby të martën deklaroi se Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu ka shprehur shqetësim në lidhje me disa spekulime se SHBA është e përfshirë në atentatin e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov.

Kirby në brifingun e rregullt theksoi se Kerry “ka shprehur shqetësim për disa spekulime se Amerika është e përfshirë në atentatin apo e ka mbështetur nga fakti se Fethullah Gyleni ndodhet në SHBA”.

“Ky është një pretendim qesharak. Nuk ka asgjë që tregon se kjo është e vërtetë. Kerry gjatë bisedës së sotme na tha qartë këtë”, ka thënë Kirby.

Rikujtojmë se ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Çavuşoğlu të martën informoi Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry se organizata terroriste FETO qëndron pas vrasjes së Andrey Karlov, ambasadorit rus në Ankara.

Sipas burimeve diplomatike të Turqisë, Çavuşoğlu ka biseduar me telefon me Kerry-in, dhe me këtë rast ia kumtoi se atentatin në Ankara e ka kryer Mevlut Mert Altintas, duke vënë në dukje se pas atentatit të ambasadorit Karlov qëndron organizata terroriste FETO.

Ambasadori rus Karlov u vra të hënën në një sulm terrorist gjatë fjalimit në hapjen e një ekspozite fotografish në Ankara të organizuar nga Ambasada Ruse dhe komuna e Ankarasë Çankaja. aa

Trumpi: Ambasadori rus u vra nga një terrorist radikal islamik

Donald Trump ka dënuar vrasjen e Andrei Karlov, ambasadorit rus në Turqi.

“Sot i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe më të dashurve të ambasadorit rus në Turqi, Andrei Karlov, i cili u vra nga një terrorist radikal islamik”, ka thënë Trump përmes një deklarate për media të lëshuar nga ekipi i tij i transicionit.

“Vrasja e një ambasadori është një shkelje e të gjitha rregullave të rregullit ndërkombëtar dhe duhet dënuar nga të gjithë”, transmeton Koha.net.

Karlov u qëllua për vdekje në një galeri arti në Ankara.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se këtë akt e konsideron “sulm terrorist”.

Turqi: Një person shtie me armë zjarri afër ambasadës amerikane

Ambasada amerikane dhe konsullatat e saj në Turqi do të mbahen të mbyllura pasi një person i është afruar ambasadës në Ankara dhe ka shtënë me armë zjarri.

Ambasada ka thënë se personi që ka gjuajtur me armë rreth orës 3:50 të mëngjesit të sotëm, sipas kohës lokale, është paraburgosur nga policia.

Agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu, ka raportuar se personi i paraburgosur ka nxjerrë një pushkë gjahu të fshehur nën pallton e tij dhe ka shtënë tetë herë. Ai më pas është ndaluar nga stafi i sigurisë së ambasadës.

Nuk raportohet për të lënduar në këtë incident, që ka ndodhur disa orë pasi ambasadori rus në Ankara, Andrei Karlov është vrarë në një galeri arti në Ankara, nga një polic turk që nuk ishte në detyrë.

Krahas ambasadës amerikane në Ankara, edhe konsullata amerikane në Stamboll dhe ajo në qytetin jugor turk, Adana gjithashtu do të mbahen të mbyllura më 20 dhjetor./REL

Bill Clinton: Rusët dhe FBI, fajtor për humbjen e Hillary Clinton

Ish presidenti amerikan, Bill Clinton ka votuar për bashkëshorten e tij Hillary si pjesëtar i Kolegjit Elektoral të New Yorkut më 19 dhjetor, dhe më pas ka fajësuar “rusët” dhe FBI për humbjen e saj ndaj Donald Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit.

“Ajo ka luftuar kundër të gjithave. Dhe, ajo ka mbijetuar kundër të gjithave, por në fund u përfshinë rusët dhe FBI dhe ajo nuk mund t’ia dilte kundër tyre”, ka thënë ai.

Clinton javën e kaluar ka thënë se ai beson që Rusia është përgjegjëse për ndërhyrjen kibernetike dhe publikimin e emaileve të brendshme të demokratëve dhe dokumenteve për dëmtimin e fushatës zgjedhore të bashkëshortes së tij.

Ai gjithashtu iu ka referuar një njoftimi të FBI-së vetëm 10 ditë para zgjedhjeve të 8 nëntorit se po e rihapte hetimin për emailat e Clinton.

Hillary Clinton, gjatë javës së kaluar ka thënë se sulmet kibernetike ishin hakmarrja e presidentit rus, Vladimir Putin për kritikat e saj gjatë zgjedhjeve ruse të vitit 2012./REL

Donald Trump zyrtarisht president

Nga arkivi

 

Miliarderi Donald Trump u zgjodh të hënën zyrtarisht president i 45-të i Shteteve të Bashkuara, pas konfirmimit nga Kolegji Elektoral.

Ai do të bëjë betimin më 20 janar.

Në SHBA, zgjedhjet presidenciale nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultatet në votimin në secilin prej të 50 shteteve si dhe në kryeqytetin Uashington.

Fituesi i votës popullore në çdo shtet normalisht merr të gjitha votat e Kolegjit Elektoral të atij shteti, të cilat janë të ndara në proporcion me popullsinë e shtetit. Anëtarët e kolegjit elektoral hodhën votat e tyre të hënën në kryeqytetet e shteteve përkatëse.

Kandidatja demokrate, ish-sekretare amerikane e shtetit Hillary Clinton, mundi zotin Trump me rreth 2.9 milion vota më shumë në votën popullore. Por republikani Donald Trump fitoi në ato gara që kanë më shumë rëndësi duke marë 302 vota të Kolegjit Elektoral kundrej 232 votave që mori zonja Klinton.

Hillari Klinton fitoi shumicën e votave në Kaliforni dhe Nju Jork që i dhanë asaj një avantazh në votën popullore në shkallë vendi, ndërsa Donald Trump fitoi shtetet e mjaftueshme për të siguruar avantazh në Kolegjin Elektoral dhe një mandat katër-vjeçar si president i vendit. Kjo është hera e pestë në historinë e SHBA-së, dhe e dyta në 16 vitet e fundit, që fituesi i votës popullore nuk fiton votën e Kolegjit Elektoral.

Në shumicën e rasteve, votimi në Kolegjin Elektoral është një formalitet. Por ndryshe ishte këtë vit. Për shkak të garës tepër të kontestuar dhe kundërshtimit të vazhdueshëm të fitores së zotit Trump nga shumë përkrahës të zonjës Klinton, mijëra amerikanë u kërkuan 306 elektorëve republikanë të Kolegjit që ta refuzonin zotin Trump, qoftë duke votuar për zonjën Klinton apo për një tjetër republikan më të pranueshëm.

Nëse votimi do të përfundonte në barazim 269 – 269, atëherë çështja do të kalonte në Dhomën e Përfaqësuesve e cila do të zgjidhte presidentin.

Shumica e anëtarëve të Kolegjit Elektoral janë të detyruar me ligj të votojnë për kandidatin që fitoi votat e shtetit. Rastet që vota t’i jepet dikujt tjetër nuk janë të padëgjuara në politikën amerikane, por janë të rralla, që kur Kolegji Elektoral filloi të përdorej për herë të parë në vitin 1789.

Presidenti i zgjedhur Trump e kritikon Kinën

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, në përfundimin të turneut të falenderimeve – një seri mitingjesh për të festuar fitoren e tij zgjedhore muajin e kaluar – në një fjalim në Alabama shprehu pikëpamjen e tij se si gazetarë të pandershëm u përpoqën ta përshkruajnë atë si kandidat republikan i cili nuk mund të fitonte.

Para një audience prej disa mijëra njerëzve në qytetin Mobile me rreth 200.000 banorë, zoti Trump tha se fushata e tij kishte filluar me njoftime të padrejta.

Si edhe në mitingjet e mëparshme, Donald Trump përsëriti premtimet për të ndërtuar një mur në kufirin meksikan dhe për të rinegociuar marrëveshjet amerikane të tregtisë. Ai theksoi synimin e tij për të filluar vetingun ekstrem të emigrantëve, për të mos lejuar hyrjen e ekstremistëve.

Në tubimin e së shtunës organizuar nga Partia Republikane mori pjesë edhe senatori Jeff Sessions i shtetit Alabama, i emëruar nga zoti Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së.

Të shtunën në mbrëmje, Donald Trump postoi në Twitter një mesazh ku e përshkroi Kinën, si vjedhëse të sondës për kërkime shkencore në Detin e Kinës Jugore.

“Ne duhet t’i tregojmë Kinës se nuk e duam dronin që e vodhi, le ta mbajë”, – tha zoti Trump në Twitter, disa orë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte arritur mirëkuptim me Kinën për kthimin e dronit.

Sipas Pentagonit, sonda nënujore u kap të enjten duke mbledhur të dhëna shkencore në Detin e Kinës Jugore, territor që Kina thotë se është i saj.

Kina tha se ushtria e kapi sondën nënujore për të siguruar lundrim të sigurt të anijeve, por do ta kthejë atë.

Nuk dihet se çfarë efekti do të ketë mesazhi në Twitter i zotit Trump në marrëveshjen me kinezët.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë të tensionuara pas bisedës telefonike të presidentit të zgjedhur Trump me presidenten e Tavanit, Tsai Ing-wen më 2 dhjetor.

Zoti Trump tha se nuk ndjehej i detyruar për zbatimin e politikës së njohjes së një Kine të vetme, nëse SHBA nuk siguronte lëshime tregtare, ose përfitime të tjera nga Kina.

Kina e konsideron Taivanin si territorin e vet dhe thotë se do ta mbrojë me forcë, nëse e gjykon të nevojshme.

Nga Alabama, Donald Trump fluturoi për në Florida për t’u ribashkuar me familjen e tij, e cila arriti atje të premten për pushime me rastin e Krishtlindjeve.

Trump: Pekini ta mbajë dronin e konfiskuar

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka thënë se Uashingtoni duhet ta lë Kinën ta mbajë një dron nënujor të marinës amerikane, pajisjen që Pekini e konfiskoi në Detin e Kinës Jugore.

“Ne duhet t’i themi Kinës që nuk e duam dronin të cilin na vodhën – le ta mbajnë!”, ka shkruar Trump në profilin e tij në “Twitter”, më 17 dhjetor.

Postimi është bërë disa orë pasi Ministria e Mbrojtjes së Kinës dhe Pentagoni e kanë konfirmuar se ata kanë arritur pajtim për kthimin e dronit, të cilin Pekini e konfiskoi më 16 dhjetor, me qëllim të parandalimit të rrezikut që pajisja mund të paraqesë për navigimin e sigurt të anijeve dhe personelit të tyre.

Më 17 dhjetor, Trump e ka fajësuar Kinën për incidentin, duke e akuzuar Pekinin për “shqyerjen e dronin kërkues” prej ujrave ndërkombëtar.

Gjatë këtij muaji, Trump e ka zemëruar Kinën me vendimin që të bisedojë në telefon me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk ndjehet i obliguar “ti përmbahet politikës së një Kine” rreth statusit të Tajvanit nëse Shtetet e Bashkuara nuk përfitojnë në aspektin e tregtisë apo ndonjë përfitim tjetër nga Pekini.

Satira politike, pjesë e debatit publik në SHBA

Satira politike ka një histori mbi 2000 vjeçare. Fillimet e saj i gjejmë në Greqinë e lashtë, por ajo mori popullaritet në vitet 1700 në kolonitë britanike që tani përbëjnë Shtetet e Bashkuara kur filluan të shfaqen karikaturat e veprimtarëve që kërkonin pavarësi nga Britania. Satira politike mund të rezultojë në burgosjen ose dënimin me vdekje të autorëve në disa vende, por në Shtetet e Bashkuara është e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës që garanton lirinë e fjalës. Vitet e fundit satira është përhapur shumë në emisionet variete të mbrëmjes, ku hidhen thumba në adresë të politikanëve, përfshirë edhe prsidentët:

Politikanët janë në shenjestër të emisioneve variete çdo mbrëmje në televizionin amerikan. Në një edicion të emisionit “The Tonight Show”, prezantuesi Jimmy Fallon imiton Donald Trumpin.

“Donald Trumpi ishte në shenjestër të skeçeve gjatë fushatës presidenciale më tepër se kushto tjetër në çdo fushatë presidenciale,” thotë profesori i Universitetit George Mason, Robert Lichter.

Robert Lichter është bashkautor i një libri mbi emisionet argëtuese të mbrëmjes të titulluar Politika është për të Qeshur: Humoristët po Transformojnë Jetën Politike”.

Profesori Lichter mendon se disa prezantues të emisioneve argëtuese kanë qenë të pamëshirshëm me disa presidentë, por janë treguar më të rezervuar ndaj Barak Obamës:

Robert Lichter, Universiteti George Mason:

“Ai ishte presidenti i parë afrikano-amerikan. Humoristët ishin të vetëdijshëm se mund të shiheshin si racistë, nëse sulmonin Barak Obamën”.

Humoristi Jimmy Fallon: “Presidenti Obama tha se Kongresi duhet të rrisë tavanin e borxhit, pasi nuk jemi ‘magjistarë që nxjerrim lepurin nga kapelja’. Në fakt ata janë lodhur nga truket e fundit të magjisë, kur zhdukën mijëra vende pune”.

Satira politike filloi të bëhej më e pranishme në televizion në vitet 1960. Por në 1975 me fillimin e emisionit humoristik të të shtunave, Saturday Night Live, u revolucionarizua imitimi i politikanëve në ekran. Aktori Chevy Chase në atë kohë thumbonte Presidentin Gerald Ford për mungesë elokuence.

“Emisioni humoristik i së shtunës solli parodinë presidenciale në satirën politike,” thotë profesori Lichter.

Jay Leno, prezantues i emisionit The Tonight Show për 17 vjet nga 1992-2009 e zgjeroi popullaritetin e satirës politike në emisionet e mbrëmjes. Edhe emisione të tjera filluan të ndjekin të njëjtin format.

Jay Leno: “Presidenti Obama nuk po përdor më termin ‘Obamacare’ në fjalimet e tij. Tani ai e quan ‘Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme’. Nuk është shenjë e mirë kur edhe vetë Obama përpiqet të distancohet nga ‘Obamacare’.”

Në vitet 1990 emisionet variete të mbrëmjes jo vetëm që shërbenin për të argëtuar spektatorët, por edhe për t’i informuar mbi skandale, apo lajme rozë mbi politikanët. Në emisionin Saturday Night Live, humoristi Darrell Hammond imitonte Presidentin Bill Clinton pasi ai i mbijetoi procesit për ta hequr nga detyra:

Robert Lichter, Universiteti George Mason, thotë:

“Në vitet 1990, humoristët filluan të përqëndrohen tek skandalet, elementët e jetës private, jetës seksuale, veseve si alkoolizmi që deri atëherë kishin qenë tabu në televizion”.

Politikanët nga ana e tyre e kutpuan se në rastet kur përfshiheshin edhe vetë në skeçe, arrinin më mirë të përçonin mesazhin e tyre. Hillary Clinton në një rast luan rolin e një banakiereje:

“Unë jam një qytetare e thjeshtë që beson se projekti i tubacionit të naftës do të shkatërrojë mjedisin,” i përgjigjet zonja Clinton, përsëri në rolin e qytetares së thjeshtë, si banakiere.

Politikanët e kuptuan shumë shpejt se duke dalë në skeçe, dukeshin si njerëz të thjeshtë që dinin ta vinin veten në lojë,” thotë profesori Lichter.

Zoti Trump ishte dy herë në emisionin Saturday Night Live. Por gjatë javëve të fundit ai e ka kritikuar këtë emision me komente në Twitter se aktori “Alec Baldwin nuk ka si të jetë më i dobët kur më imiton mua”. Ai është shprehur se “Emisioni është pa humor, pa vlerë argëtuese dhe plotësisht i njëanshëm”.

Për mirë a për keq, satira politike është pjesë e debatit publik. Profesori Lichter mendon se në këtë klimë negative politike është mirë që njerëzit të gjejnë edhe humorin tek politika.

Obama: I thashë Putinit, ndalo sulmet kibernetike

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti amerikan, Barack Obama ka qortuar republikanët amerikanë për qëndrimet ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, pas fitores së presidentit të zgjedhur, Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Obama e ka cituar një sondazh ku thuhet se 37 % e votuesve që identifikohen si republikanë mbajnë qëndrim pozitiv për liderin rus, ndonëse 47 % e votuesve me të njejtën bindje politike kanë qëndrim tradicionalisht të keq ndaj liderit rus.

“Ronald Reagani do të rrotullohej në varrin e tij”, ka thënë Obama në konferencën e fundvitit me gazetarë të mbajtur mbrëmë në Uashington.

Ish presidenti amerikan, Reagan rregullisht e ka quajtur Bashkimin Sovjetik që udhëhiqej nga Moska, si “perandoria e të keqës”.

Presidenti i ardhshëm amerikan, Trump është tërhequr shumë nga qëndrimi i rregullt republikan duke thënë se ai ka dëshirë të ketë raporte të mira me Rusinë dhe të bashkëpunojë me Kremlinin për të mundur terroristët.

Disa republikanë në Kongresin amerikan vazhdojnë megjithatë të mbajnë qëndrim të ashpër kundrejt Rusisë.

Duke folur për çështjen e ndërhyrjes ruse në fushatën zgjedhore amerikane, Obama e ka mbrojtur fuqishëm reagimin e administratës së tij, përfshirë edhe refuzimin që para votimit të përshkruajë motivet e përfshirjes ruse apo të diskutojë tani se çfarë efekti mund të ketë pasur kjo përfshirje ruse.

Obama ka thënë se i është kundërvënë drejtpërdrejtë Putinit në një samit ndërkombëtar në muajin shtator rreth sulmeve kibernetike në fushatën zgjedhore amerikane, duke i thënë ish shefit të KGB-së, tani president i Rusisë, “ndaloje” këtë.

Obama ka nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mund të hakmerren, duke thënë se “çfarëdo që na bëjnë, ne potencialisht mund t’iu bëjmë atyre”.

Presidenti amerikan nuk ka thënë se Putini e ka ditur për sulmet kibernetike ndaj SHBA-së, por ka nënvizuar se pak gjëra ndodhin në Rusi pa Vladimir Putinin.

Obama: Rusia, Irani dhe Siria kanë “gjak në duart e tyre” në Alep

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se Rusia, Irani dhe Siria “kanë gjak në duart e tyre” nga betejat brutale të Alepit, derisa është ankuar se nuk ka mundur ta ndalë gjakderdhjen në Siri, me gjithë përpjekjet disa vjeçare.

“Bota në kohën si është tani, është e tmerruar nga sulmet brutale nga regjimi sirian dhe aleatët e saj rusë dhe iranianë në qytetin e Alepit. Ne e kemi parë një strategji të qëllimshme të rrethimit dhe mbajtjes së civilëve të uritur. Ne kemi parë sulmet që kishin cak punonjësit humanitarë dhe personelin mjekësor”.

“Lagje të tëra janë shndërruar në gërmadha dhe pluhur. Ka raportime të vazhdueshme për civilët që po ekzekutohen. Këto janë shkelje të tmerrshme të ligjit ndërkombëtar. Përgjegjësia për këtë brutalitet bie mbi një adresë, regjimin e Assadit dhe aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin. Ky gjak dhe këto krime gjenden në duart e tyre”, ka thënë Obama gjatë konferencës së fundit për këtë vit me gazetarë.

Obama, veçanërisht e ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al Assad, lufta civile e të cilit ndaj kundërshtarëve të armatosur prej vitit 2011 ka vrarë mbi 250 mijë njerëz, se ai nuk do të jetë në gjendje që “duke kryer vrasje masive, t’i japë vetes legjitimitet”.

Mirëpo, të njëjtën kohë, Obama e ka pranuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë arritur pak sukses në përpjekjet e tyre që ta ndalin gjakderdhjen apo ta zvogëlojnë sado pak atë. Sipas Obamës, kjo ka ndodhur kryesisht si pasojë e vendimit të tij të mëhershëm gjatë luftës që të mos e përfshijë SHBA-në ushtarakisht.

“Për vite të tëra, ne kemi punuar që ta ndalim luftën civile në Siri dhe t’i lehtësojmë vuajtjen e njerëzve… Kjo ka qenë një nga çështjet më të vështira, me të cilat jam përballur si president”, ka theksuar Obama.

Presidenti Obama ka thënë se ai ka arritur në përfundim se përfshirja e SHBA-së ushtarakisht në Siri, nuk do të ishte diçka që do të bëhej lehtë apo pa pasoja.

“E vetmja mënyrë ishte që ne të përfshihemi në tërësi dhe të marrim kontrollin mbi Sirinë, ndryshe do të përballeshim me probleme”, ka thënë Obama dhe ka shtuar se okupimi ushtarak nënkuptonte “vendosjen e shumë ushtarëve në terren, të paftuar, pa një mandat sipas ligjit ndërkombëtar”.

Obama, gjithashtu, e ka pranuar se përpjekjet e administratës së tij për të vendosur një proces paqeje përmes Kombeve të Bashkuara apo edhe me negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, nuk kanë dhënë rezultate.

“Nuk mund të pretendoj se kemi qenë të suksesshëm. Dhe, kjo është diçka, njëjtë si me shumë probleme e telashe të tjera nëpër botë, me të cilën më duhet të shtrihem në shtrat çdo natë. Por, unë vazhdoj të besoj se kjo ishte qasja e duhur, marrë parasysh atë që ne realisht do të mund të bënim”, ka thënë presidenti amerikan.

Shumë analistë konsiderojnë se mosveprimi nga perëndimi ka nxitur vendimin e Rusisë që të ndërhyjë. Moska është duke e ndihmuar regjimin e Assadit që të shënojë sukses të madh në rimarrjen e territoreve të kontrolluara nga rebelët.

Derisa Obama po mbante konferencën me gazetarë, Rusia dhe Siria kanë ndaluar evakuimin e mijëra civilëve dhe luftëtarëve, ndërsa po i vazhdojnë përpjekjet të marrin pjesën e fundit të Aleppos, që ende është nën kontroll të rebelëve.

Obama e ka përkrahur iniciativën franceze në OKB që të autorizohen vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara për të monitoruar evakuimin, mirëpo Rusia e ka bllokuar këtë duke i lënë zyrtarët e OKB-së po aq të zemëruar sa presidenti amerikan rreth asaj se si të vazhdohet tutje.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, në konferencën e fundit të tij në këtë pozitë, më 16 dhjetor, ka thënë se lufta në Siri është diçka që “i ka thyer zemrën atij”, veçanërisht pasi përpjekjet për evakuimin e qindra mijëra civilëve të lënduar, janë pezulluar më 16 dhjetor.

Forcat siriane kanë thënë se e kanë pezulluar evakuimin, sepse grupet rebele nuk i janë mbajtur premtimit që të lejojnë evakuimin e trupave qeveritare dhe civilëve të lënduar nga dy fshatra shiite që rebelët i mbajnë nën kontroll në krahinën e Idlibit.

Irani ka kërkuar që fshatrat të përfshihen në marrëveshjen e armëpushimit që ka mundësuar largimin e njerëzve nga Aleppo, thonë zyrtarë të OKB-së.

Turqia, një nga përkrahësit kryesor të rebelëve, ka thënë se Ankaraja është duke biseduar me homologër në Teheran në përpjekje për të lejuar vazhdimin e evakuimit.

Presidenti amerikan, Obama, i ka hedhur poshtë pretendimet ruse dhe siriane se të gjithë civilët që kanë qenë të ngujuar në Aleppo, kanë pasur mundësi të largohen.

“Aktualisht, rusët dhe Assadi pretendojnë se të gjithë civilët e pafajshëm që kanë qenë të ngujuar në Aleppo kanë dalë, derisa organizatat ndërkombëtare, organizatat humanitare që janë në terren, kanë thënë se ka ende dhjetëra mijëra njerëz që mbesin të ngujuar dhe janë të gatshëm të largohen në çfarëdo rrethana. Pra, momentalisht prioriteti ynë më i madh është t’iu bëjmë presion aty ku mundemi që t’i nxjerrim ata jashtë”, ka thënë Obama.

Përgatiti: Artan Haraqija

Trump premton “krijimin e zonave të sigurisë” në Siri

Trump gjatë një fjalimi në Harshey në shtetin e Pensilvanisë është shprehur se ngjarjet në Siri janë shumë pikëlluese

ANKARA – Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se vendi i tij do të krijojë “zona të sigurisë” në Siri.

Sipas lajmeve në shtypin amerikan, Trump gjatë një fjalimi në Harshey në shtetin e Pensilvanisë është shprehur se ngjarjet në Siri janë shumë pikëlluese.

“Janë shumë pikëlluese. Do të ndihmojmë njerëzit atje. Në Siri do të krijojmë zona të sigurisë. Do të ndihmojmë krijimin e zonave të sigurisë atje”, ka thënë Trump.

Ai tha se shpenzimet për projektin do t’i kërkojë nga shtetet e Gjirit. aa

Obama: “Ndërmerret aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhje

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara do të “ndërmarrin aksion” kundër Rusisë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale.

Mëtutje, në intervistën për Radion Publike Kombëtare, të publikuar mbrëmë vonë, zoti Obama tha se kishte folur “direkt” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për këtë çështje.

“Mendoj se nuk ka dyshim se kur një qeveri e jashtme përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona… ne duhet të ndërmarrim aksion dhe do ta bëjmë këtë”, tha Obama.

Këto komente u bënë derisa Shtëpia e Bardhë i ka shtuar sugjerimet se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht i ka urdhëruar sulmet kibernetike dhe rrjedhjen e emailave të demokratëve në përpjekje për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të triumfoj ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton.

Më herët, zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Ben Rhodes, i tha rrjetit MSNBC se “nuk mendoj se gjërat në qeverinë ruse të kësaj rëndësie ndodhin pa dijen e Vladimir Putinit…kur ju bisedoni për ndërhyrje kibernetike sikur kjo, ne flasim për nivelet më të larta të qeverisjes”.

Vladimir Putin e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi.

Trumpi do të mbajë takim me gjigandët e teknologjisë

Donald Trump do të mbajë një takim me udhëheqësit e disa kompanive gjigande të Luginës së Silikonit. Takimi mund të shërbejë pjesërisht për t’u njohur me ta dhe pjesërisht për të krijuar frymë më miqësore. Kjo duke patur parasysh marrëdhëniet e hidhura që presidenti i zgjedhur ka me shumë prej gjigandëve të teknologjisë në vend.

Në Kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut, presidenti i zgjedhur do të takohet me krerët e kompanive të tilla si Apple, IBM, Microsoft dhe Alphabet, firmën që ka në pronësi Google-in.

Presidenti i zgjedhur Trump nuk ka lidhje të ngushta me drejtuesit e kompanive teknologjike dhe disa prej tyre ai i ka kritikuar ashpër gjatë fushatës së tij. Prandaj ky takim mund të përcaktojë se si do t’i ketë marrëdhëniet afatgjata me ta.

Gjatë fushatës, ai u bëri thirrje mbështetësve të bojkotojnë firmën “Apple” për shkak të qëndrimit të saj ndaj çështjes së privatësisë, dhe u zotua se do ta “detyronte Apple-in të fillojë të prodhojë kompjuterët dhe iPhonët e tyre në SHBA. Presidenti i zgjedhur pati një zënkë me drejtorin ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg mbi reformën e imigracionit. Zoti Trump gjithashtu akuzoi Jeff Bezos-in, drejtorin ekzekutiv të kompanisë Amazon për përdorimin e gazetës Washington Post, të cilën Bezos e ka në pronësi, si mjet për të shmangur taksat.

Industria e teknologjisë, një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, mund të luajë një rol kryesor që t’i japë një shtysë iniciativës së punësimit të presidentit të zgjedhur.

Burime të ndryshme thonë se shumë nga drejtuesit do të përpiqen të gjejnë një gjuhë të përbashkët me zotin Trump, edhe pse shumë prej tyre janë kundër mënyrës së si është shprehur ai mbi imigracionin e paligjshëm dhe ndaj tregtisë së lirë.

Katër burime që kanë njohuri për planifikimin e takimit e përshkruajnë atë si një seancë prezantuese që do të përqëndrohet në çështje të përbashkëta, në vend që të merret me mosmarrëveshjet.

“Nëse ai mund të reformojë kodin e taksave dhe të negociojë marrëveshje më të mira të tregtisë, komuniteti i teknologjisë i Shteteve të Bashkuara do të bëhet më i fortë dhe më konkurrues se kurrë”, tha në një deklaratë drejtorja ekzekutive e kompanisë Oracle, Safra Catz, e cila do të marrë pjesë në takim.

Fitorja befasuese e zotit Trump muajin e kaluar alarmoi shumë punonjës të kompanive të teknologjisë.

Shenja të këtij shqetësimi u shfaqën në një letër të hapur të nënshkruar të martën nga më shumë se 200 punonjës nga fusha e teknologjisë. Në letër thuhej se ata nuk do ta ndihmojnë administratën e zotit Trump të krijojë një bazë të dhënash për të kontrolluar njerëzit bazuar në fenë e tyre, ose për të lehtësuar deportimet në masë.

Ambasadori LU: Dështim i policisë dhe prokurorisë për mosarrestimin e Klement Balilit

 

Lu: SHBA mbështetje të kushtëzuar nëse s’arrestohet Balili

Ambasadori Donald Lu nuk nguron dhe bën një deklaratë bombë për mos arrestimin e Klement Balilit  të akuzuar si një prej krerëve të trafikut të drogës në Ballkan.

“Për 7 muaj kam nxitur ministrinë e Brendshme, por dhe prokurorinë për arrestimin e tij tha Lu në fjalën e tij mbajtur gjatë analizës vjetore të Avokatit të Popullit”

Ai e quajti dështim mos arrestimin e Balilit.

Duke akuzuar se politikanë nga e majta dhe e djathta i kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj, madje edhe trafikantëve të drogës Lu tha se SHBA kushtëzon bashkëpunimin e ardhshëm kundër narkotikëve me arrestimin dhe procedimin penal të “peshqve të mëdhenj” nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin.

Donald Lu: Shqipëria do të ishte një vend më i mirë nëse qeveritë do ti vinin veshin zyrës së Avokatit të Popullit.

Në vend të kësaj politikanë nga e majta dhe e djathta i kanë kushtuar vëmendje interesave të fuqishme të biznesmenëve të korruptuar, kriminelëve të mëdhenj, madje edhe trafikantëve të drogës.

Si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin se trafikanti i paprekshëm i drogës Klement Balili është ende i lirë. Sipas medias ai ka shmangur 200 policë që kanë qenë në ndjekje të tij.

Sipas të vëllait ai endet i lirë nëpër rrugët e Tiranës sepse deri të premten e kaluar zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nuk kishte urdhëruar arrestimin e tij.

Vonesa në arrestimin e Klement Balilit, ish-zyrtar në Sarandë, përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe sistemit të drejtësisë.

Kanë kaluar 7 muaj që kur policia greke arrestoi trafikantët e drogës të lidhur me Balilin në Greqi, që atëherë ka qenë në kërkim nga policia greke.

Kanë kaluar 7 muaj që kur Ministria e Drejtësisë dergoi personel në Greqi për tërheqjen e dokumentave. Tani ata kanë 10 mijë faqe dokumentacion.

Agjencitë ligjzbatuese të SHBA i kanë thënë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të arrestojë Klement Balilin.

Për 7 muaj kam nxitur policinë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm që ta arrestojnë.

Nëse Shqipëria nuk mund të kapë Klement Balilit si mund të shkojë pas “peshqve të tjerë të mëdhenj”?!

Kush do të donte të punonte me Shqipërinë?!  Kush do të besonte se ky është një vend serioz në luftën kundër trafikut të drogës?

Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Shqipërisë se bashkëpunimi i ardhshëm kundër narkotikëve është i kushtëzuar nga arrestimi dhe procedimi penal i “peshqve të mëdhenj” nga ana e Shqipërisë, përfshirë Klement Balilin.

Ambasadori Lu: SHBA ka shtatë muaj që kërkon arrestimin e Klement Balilit

Voal – Në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu tha se vonesat në arrestimin e Klement Balilit, përfaqësojnë një dështim të madh të organeve të zbatimit të ligjit, nga prokuroria deri te policia shqiptare. Zoti Lu i referohej rastit të trafikantit të narkotikëve si Balili, për të cilin ai tha se nuk ekanë kapur dot as me 200 policë. Diplomatët e SHBA-ve pohuan se prej 7 muajsh po u kërkojnë zyrtarëve të policisë, prokurorisë dhe drejtësisë, që të arrestojnë trafikantë si Klement Balili. Zoti Lu deklaroi sot se SHBA e ka kushtëzuar me arrestimin e elementëve të mëdhenj të krimit bashkëpunimin dypalësh në luftën kundër drogës.

Senatori Graham: Po, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane

Senatori republikan, Lindsey Graham

Një senator republikan e ka kundërshtuar presidentin e zgjedhur, Donald Trump në lidhje me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet amerikane duke zbuluar se Moska ka kryer sulm kibernetik edhe në fushatën e Trumpit.

Senatori Lindsey Graham, i ka thënë CNN-së më 14 dhjetor se FBI e ka informuar atë tre muaj para zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit se llogaritë e tij janë sulmuar.

Trump i ka hedhur poshtë konkludimet e CIA-së dhe FBI-së, se rusët kanë kryer sulme kibernetike dhe më pas i ka rrjedhur në media emailet e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe dokumente të tjera për të dëmtuar fushatën e rivales së tij, Hillary Clinton.

Mirëpo Graham i ka thënë CNN-së: “Unë e besoi që rusët e kanë ‘hackuar’ Komitetin Kombëtar të Demokratëve. Unë e besoi që ata e ‘hackuan’ edhe Podestan (udhëheqësin e fushatës së Clintonit). Ata kanë kryer sulm në fushatën time. Unë e besoi që të gjitha informacionet e publikuara e kanë dëmtuar publikisht Clintonin, por nuk e kanë dëmtuar Trumpin”.

Graham ka thënë se ai megjithatë nuk e beson që rrjedhja në media e informacioneve të tilla e kanë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Graham është një republikanët kryesorë që kanë bërë thirrje për hakmarrje ndaj përfshirjes ruse në zgjedhje.

“Qëllimi im është të vendosë në tavolinën e presidentit Trump sanksione të rënda kundër Rusisë. Ata duhet të paguajnë çmimin”, ka shkruar Graham në Twitter.

Ish-shefi i CIA-s: Trump, fajtor nëse sulmohet Amerika

Ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta deklaroi gjatë së mërkurës se presidenti i zgjedhur, Donald Trump rrezikon të fajësohet në rast të një sulmi potencial ndaj Shteteve të Bashkuara, nëse ai refuzon të marrë njoftimet nga agjencitë e inteligjencës më shpesh.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë për “Reuters” se Trumpi merr mesatarisht një njoftim përmbledhës presidencial në javë nga shërbimet sekrete, shumë më pak nga sa bënin paraardhësit e tij, por pranojnë gjithashtu se zëvendësi i tij, Mike Pence merr thuajse 6 ditë të javës të tilla informacione.

Panetta, ish-kongresmeni demokrat që ka shërbyer si drejtor i CIA-s dhe Sekretar i Mbrojtjes në mandatin e parë të presidentit Barack Obama, tha gjatë një konference të sponsorizuar nga qeveria e Dubait, të njohur si Forumi për Strategjinë Arabe, se refuzimi i Trumpit “nuk mund të zgjasë”.

“Kam parë presidentë që kanë pyetur në lidhje me verifikueshmërinë e informacioneve të burimeve sekrete, apo se cilët janë burimet për këto informacione, por kurrë nuk kam parë një president që thotë se ‘nuk i dëshiron të tilla informacione’”, deklaroi Panetta.

“Nëse ne pësojmë një tjetër sulm dhe zyrtarët e shërbimeve sekrete kanë pasur të dhëna apo informacione mbi atë sulm, e që presidenti nuk ka dashur t’i dëgjojë për çfarëdolloj arsyeje, përgjegjësia për atë sulm do të bjerë pikërisht te presidenti”, shtoi më tej ish-shefi i CIA-s.

Në një intervistë për “Fox News” gjatë së dielës, Trump tha se kishte dalë në konkluzionin se informacionet e shërbimeve sekrete ishin përsëritëse dhe se sigurisht që i kupton rreziqet potenciale.

“Ju e dini, unë jam një person i zgjuar. Nuk më nevojitet të më thonë të njëjtat gjëra, me të njëjtat fjalë çdo ditë për 8 vitet e ardhshme”, tha Trump.

Panetta u shpreh se Trump duhet të marrë parasysh edhe rishikimet e agjencive amerikane të Inteligjencës, se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit përmes sulmeve kibernetike.

“Sa i përket ndërhyrjes ruse në fushatën e fundit, 17 agjenci inteligjence kanë konkluduar se Rusia është e përfshirë në këtë përpjekje. Mendoj se presidenti do të bënte mirë të thoshte se, detyrohemi të gjejmë se cili ishte roli i Rusisë, jemi të detyruar ta hetojmë atë dhe të sigurohemi se nuk do të ndodhë më”.

Sipas raportimeve, CIA beson se sulmet kibernetike ruse kanë pasur për objektiv përforcimin e kandidati republikan, një vlerësim që nuk ndahet edhe nga FBI-ja, e cila së bashku me shumë agjenci të tjera kundërzbulimi kanë dhënë konkluzionin se sulmet kibernetike ruse synuan përgjithësisht të minonin zgjedhjet amerikane. Trump i quajti vlerësimet e CIA-s si “qesharake”, ndërsa Rusia mohoi të jetë e përfshirë.

Trumpi e mbron emërimin e Tillersonit për sekretar shteti

Donald Trump duke folur mbrëmë në Viskonsin

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka mbrojtur të nominuarin e tij për sekretar amerikan të shtetit, Rex Tillerson, si “diplomat të mrekullueshëm” i cili “do t’i kthejë vitetet e gabimeve në poltiikën e jashtme”, duke qenë se është “mbrojtës i fuqishëm” i interesave të Shteteve të Bashkuara.

Mëtutje, në një tubim në Viskonsin, mbrëmë vonë, Trump e ka lavdëruar zotin Tillerson, se është njëri nga biznesmenët më të suksesshëm në botë, me një karrierë që është “realizim i ëndrrës amerikane”.

Derisa shumë anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara i kanë kritikuar lidhjet e zotit Tillerson me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, Donald Trump tha se kjo është gjë e mirë.

“Rex është mik me shumë liderë në botë dhe disave kjo nuk u pëlqen”, tha Trump, dhe ka shtuar se “ata nuk dëshirojnë që ai të jetë miqësor”.

Trumpi e nominon Tillersonin për Sekretar të Shtetit

Shefi ekzekutiv i korporatës së naftës Exxon Mobil, Rex Tillerson

Presidenti i zgjedhur, Donald Trump ka njoftuar se shefi ekzekutiv i korporatës së naftës Exxon Mobil, Rex Tillerson është i nominuari i tij për postin e Sekretarit të Shtetit.

Para se të njoftonte për këtë, këshilltarja e Trumpit, Kellyanne Conway, u ka thënë gazetarëve se përvoja e gjatë biznesore e Tillersonit, me projekte të shpimit në Rusi, e ka bërë atë “kandidat kryesor” për këtë post.

Ky nominim konfirmon njoftimet e mediave amerikane se Tillerson do të nominohet nga Trump për Sekretar të ri të Shtetit.

“Jam i shqetësuar”, ka thënë republikani John McCain, kryetar i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit të SHBA-së dhe ka shtuar: “Është shumë mirë e ditur se ai ka marrëdhënie shumë të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin”.

Senati heton “ndërhyrjen e Rusisë” në mbështetje të Trumpit

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin (majtas) dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

 

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Mitch McConnell, tha se Kongresi do të hetojë vlerësimin e CIA-s se Qeveria e Rusisë ka përdorur hakerët kompjuterikë për t’i ndihmuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump, të fitojë zgjedhjet.

Njoftimi vjen në kohën e debateve intensive midis politikë-bërësve amerikanë, zyrtarëve zgjedhorë dhe komunitetit të inteligjencës në lidhje me shkallën e veprimit të hakerëve dhe qëllimin e tyre.

Shtëpia e Bardhë, e cila ka urdhëruar një hetim të thellë të sulmeve kibernetike gjatë fushatës zgjedhore, e mirëpriti lajmin për hetime nga Komiteti i Inteligjencës i Senatit.

McConell tha se rusët nuk janë miq të SHBA-së dhe dënoi sulmet e mundshme kibernetike në kompjuterët e Komitetit Kombëtar Demokratik dhe në organizatat e tjera politike të SHBA-së.

McConnell tha se hetimet mbi ndërhyrjen e mundshme ruse nuk mund të jenë çështje partiake.

Presidenti Barack Obama pritet të marrë rezultatet e hetimeve që ka urdhëruar përpara se Trump të marrë detyrën më 20 janar.

Më 7 tetor, para zgjedhjeve, drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, James Clapper, ka akuzuar publikisht Qeverinë ruse për përfshirje në sulmet kibernetike në kompjuterët e Partisë Demokratike.

Deklarata e Clapperit është bërë në emër të CIA-s dhe 16 agjencive të tjera që përbëjnë komunitetin e ineligjencës në SHBA.

Më 9 dhjetor, gazeta The Washington Post ka raportuar se CIA ka konstatuar se qëllim i hakerëve rusë ka qenë të ndihmojnë Trumpin që të fitojë presidencën.

Këto konstatime janë hedhur poshtë nga Trump, i cili ka thënë se ato përdoren nga demokratët për të minuar fitoren e tij zgjedhore.

Udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, po ashtu mbështeti idenë që Komiteti i Inteligjencës të hetojë sulmet e mundshme kibernetike në procesin zgjedhor në SHBA.

“Çdo ndërhyrje e huaj në zgjedhjet tona është krejtësisht e papranueshme”, tha Ryan.

“Dhe, çdo ndërhyrje nga Rusia është veçanërisht problematike, sepse nën presidentin Vladimir Putin, Rusia ka qenë një agresor që ka dëmtuar interesat amerikanë”, shtoi Ryan.

Megjithatë, ai tha se hetimet nuk duhet të minojnë fitoren zgjedhore të Trumpit.

Në një tjetër zhvillim, disa nga zgjedhësit amerikanë, që janë të ngarkuar me përcaktimin e presidentit të ardhshëm me një votim, javën e ardhshme, kanë bërë thirrje për një takim mbi akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Dhjetë zgjedhës – një republikan dhe nëntë demokratë – kanë thënë se u duhet të kuptojnë fuqinë e provave për ndërhyrjen ruse, përpara votimit të Kolegjit Zgjedhor më 19 dhjetor.

Zgjedhësit, zakonisht, vetëm ratifikojnë rezultatet e votimit nga shteti në shtet, por Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u jep atyre liri për të marrë në konsideratë faktorë të jashtëzakonshëm, të cilët mund t’i vënë në pyetje rezultatet.

Përgatiti: Valona Tela

Trump shpall sot zgjedhjen për Sekretar të Shtetit

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të shpallë sot zgjedhjen e tij për postin e Sekretarit të Shtetit.

Trump, përmes postimit në Twitter, nuk tha se kush do të jetë, por media si Fox News, AP dhe Reuters raportuan se Rex Tillerson, shef ekzekutiv i korporatës së naftës Exxon Mobil, është zgjedhja e Trumpit për postin e kryediplomatit.

Këshilltarja e Trumpit, Kellyanne Conway, u ka thënë gazetarëve se përvoja e gjatë biznesore e Tillersonit, me projekte të shpimit në Rusi, e ka bërë atë “kandidat kryesor” për këtë post.

“Jam i shqetësuar. Është shumë mirë e ditur se ai ka marrëdhënie shumë të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin”, ka thënë republikani John McCain, kryerar i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit të SHBA-së.

Kandidati kryesor për sekretar shteti has kritika nga republikanët

Rex Tillerson, një figurë me peshë në biznes, që ka marrëdhënie miqësore me Presidentin e Rusisë dhe që e ka kaluar karrierën e tij 41 vjeçare në të njëjtën kompani nafte, vazhdon të jetë kandidati kryesor për t’u zgjedhur Sekretar Shteti në administratën e Donald Trumpit.

Por presidenti i zgjedhur Donald Trump mund deyrohet të zgjedhë një kandidaturë tjetër, si për shembull ish-guvernatorin e Masaçusetsit, Mitt Romney pasi mbështetja e nevojshme republikane në Senat për zotin Tillerson duket e lëkundur.

Në komentin e fundit për zotin Tillerson, Presidenti i zgjedhur shkruante të dielën në Twitter: “E zgjedh ose jo në krye të Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson, kryetari dhe ezekutimi i ExxonMobilit është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe i zoti. Prisni për më shumë!”

Disa e interpretojnë mesazhin e tij si një sinjal se presidenti i zgjedhur e ka të qartë se çfarë vështirësish do të hasë Tillerson në seancat e konfirmimit në Senat dhe se ka mundësi që ai të zgjedhë dike tjetër, si zoti Romney ose kongresmeni Dana Rohrabacher, i njohur për aktivizmin e tij për të drejtat e njeriut.

Një nga kandidatët e mbetur në garë është edhe Jon Huntsman, që ka qenë guvernator shtetit Utah dhe ambasador në Kinë.

Mendohet se ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton i dëmtoi shanset për postin, pasi la të kuptohej se akuza se Rusia ka depërtuar në kompjuterat e komiteteve kombëtare të Partive Demokrate dhe Republikane mund të kishte qenë një “alarm i rremë” i sajuar nga administrata e Presidentit Obama.

Senatori John McCain, i Komisionit për Shërbimet e Armatosura tha në disa intervista të dielën se marrëdhënia e zotit Tillerson me presidentin rus Putin “është shqetësuese”.

Para disa muajsh zoti Tillerson tha në një aktivitet në Universitetin e Teksasit, se kishte “një marrëdhënie shumë të mire me të”, pasi e njihte prej 15 vjetësh.

Në vitin 2013, zoti Putin i dha Urdhrin e Miqësisë së Rusisë zotit Tillerson, që ka negociuar marrëveshje masive me kompanitë ruse për eksplorim dhe prodhim nafte dhe gazi dhe ka kundërshtuar sanksionet amerikane ndaj Moskës.

Të hënën Kremlini, e vlerësoi zotin Tillerson, duke e quajtur “shumë professional”.

Mes njoftimeve se CIA ka nxjerrë konkluzionin se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane për të favorizuar zotin Donald Trump, emërimi i një personi për postin e Sekretarit të Shtetit me lidhje të thella ruse do të përballej me pyetje të hollësishme dhe të rëndësishme në seancat e konfirmimit në kongres.

Ka një lëvizje dypartiake në kongres për një hetim të plotë të dyshimeve për ndërhyrjen ruse në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara.

Anëtari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Marco Rubio, ashtu si senatori tjetër republikan, John McCain, ka shprehur dyshime në lidhje me emërimin e zotit Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit. Ai në një koment në Tweeter thotë: “Të jesh një mik i Vladimirit nuk është cilësia që unë shpresoj të ketë një Sekretar Shteti”.

Bazuar në përbërjen aktuale të Senatit, nëse të gjithë senatorët demokratë votojnë njëzëri kundër një kandidati dhe dy republikanë të tjerë u bashkohen atyre, ata mund të bllokojnë emërimet për postet e kabinetit nga presidenti i ardhshëm.

Demokrati Ed Markey, një mbështetës i energjisë së pastër, parashikon se administrata Trump do të përballet me “një betejë të madhe, nëse Tillerson merr emërimin” duke argumentuar se “ne nuk mund të lejojmë një ekzekutiv të industrisë së naftës të zëvendësojë diplomacinë e Departamentit Amerikan të Shtetit.”

Në lidhje me çështjen e ndryshimeve klimatike “Tillerson apo ndonjë kandidat tjetër do të përfaqësonte pikëpamjet e zotit Trump,” thotë Bob Tippee, redaktor i revistës “Oil & Gas”. “Zgjedhja e zotit Tillerson do të provokonte edhe më tej aktivistët e ndryshimeve klimatike”, thotë ai.

Zoti Tillerson, i cili pritet të largohet nga kompania e tij vitin e ardhshëm, kur ai arrin moshën e detyrueshme të pensionit, 65 vjeç, u takua me presidentin e zgjedhur Trump në fillim të këtij muaji dhe përsëri të shtunën.

“Njohuritë e zotit Tillerson për mënyrën se si funksionojnë organizatat, si një aftësi unike, mund ta ndihmojë atë që të drejtojë Departamentin e Shtetit, një institucion që ka identitetin e vet të ngurtësuar kulturor,” i tha Zërit të Amerikës zoti Tippee. “Për mua kjo do të ishte një zgjedhje interesante dhe me potencial transformues.”

Karriera e zoti Tillerson i ka dhënë atij aftësi të shumta të nevojshme për të qenë një kryediplomat kompetent, i cili mund të “mësojë dhe kuptojë analizat komplekse politike, mund të vlerësojë udhëheqësit e huaj, dhe duke mund të negociojë me miqtë dhe kundërshtarët tanë,” thotë Steve Coll, autor i një libri mbi kompaninë e naftës “ExxonMobile”, të quajtur “Empire Private” ose “Perandoria Private”.

Kompania, e cila ka shtrirë biznesin në 50 vende, e sheh veten “si një, korporatë e pavarur ndërkombëtare e energjisë në botë, e pavarur nga qeveria amerikane, e përkushtuar në mënyrë të vendosur ndaj interesave të aksionarëve të saj dhe me politikën e saj të jashtme “, shkruan Coll në edicionin e fundit të revistës “New Yorker”.

Politika e jashtme e gjigandit të energjisë nganjëherë ka më shumë ndikim në vende të caktuara se sa Departamenti i Shtetit, thotë Coll. Ai i thekson se drejtuesit e kompanisë “Exxon” i përshkruajnë diplomatët amerikanë si kundërshtarë të marrëveshjeve të ndjeshme dhe komplekse mbi naftën dhe të paaftë për negociata komplekse për industrinë e naftës.

Gazeta kineze komentet e Trumpit i quan “naive”

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump

Një gazetë ditore kineze ka thënë se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump është “naiv” pas komenteve të bëra nga ai që hedhin dyshim mbi politikën afatgjate të “një Kine” duke e njohur Pekingun dhe duke refuzuar lidhjet diplomatike me Tajvanin.

Një koment pa autor, i publikuar në gazetën kineze “Global Times” më 12 dhjetor, e ka paralajmëruar Trump se politika e “një Kine” siç është thënë aty, “nuk është për negocim” dhe se ajo “nuk mund të tregtohet”.

Trump i ka thënë “Fox News” më 11 dhjetor se ai nuk ndjehet i “obliguar ndaj politikës së ‘një Kine’ dhe do të mendonte ndryshe “nëse do të bënte marrëveshje me Kinën për gjëra të tjera, përfshirë edhe tregtinë”.

Ai ka shtuar: “Nuk do të doja që Kina të më diktojë mua”.

Komentet e Trump janë bërë një javë pasi ai e ka pranuar një telefonatë për t’ia uruar fitoren në zgjedhje, nga presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjest ky që e ka zemëruar Pekingun.

Kina e konsideron Tajvanin, një ishull që vetëqeveriset, si territor kinez.

Politika e “një Kine” e Uashingtonit daton nga viti 1979 kur SHBA-të kanë vendosur marrëdhënie diplomatike vetëm me Pekingun.

Artikulli në “Global Times” e ka cituar nëj analist për marrëdhënie me jashtë duke i quajtur komentet e Trumpit si “naive” dhe se si duhet të lexojë më shumë libra për marrëdhëniet SHBA-Kinë.

Presidenti i zgjedhur Trump e konsideron “qesharak” konkluzionin e CIA-s

Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se është “qesharak” konkluzioni i Agjensisë Qendrore të Zbulimit – CIA, se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale për të rritur shanset e fitores së tij. Zoti Trump e quajti këtë “një tjetër justifikim” të demokratëve për humbjen e ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

“Nuk e besoj. Nëse shikoni se çfarë CIA ka thënë, aty ka shumë konfuzion. Askush nuk e di. Nuk ja kanë idenë nëse ishte Rusia apo Kina, apo dikush tjetër. Mund të jetë dikush që e bën nga krevati”, tha zotit Trump.

Zoti Trump i tha kanalit Fox News se nuk e kundërshton urdhërin e Presidentit Barack Obama për shqyrtimin e sulmeve kibernetike, për të cilat CIA konkludoi se u bënë nga Rusia gjatë fushatës së zgjatur të zgjedhjeve presidenciale amerikane, por ai shtoi se “nuk duhet të thoni vetëm ‘Rusia’. Duhet të përmendni edhe vende të tjera, ndoshta edhe individë të tjerë.” CIA është shprehur me shumë siguri se Rusia ndihmoi në fitoren e zotit Trump.

Zyrtarë të administratës Obama thonë se agjensitë amerikane të zbulimit kanë konkluduar se Rusia ndërhyri në fazën e fundit të fushatës presidenciale për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën, dhe jo thjesht u përzie në procesin elektoral amerikan, siç besohej më parë. Ky konkluzion bazohet tek zbulesa se rusët thyen sistemet kompjuterike të Komitetit Republikan Kombëtar, krahas atyre të organizatave demokrate, por bënë publike nëpërmjet “Wikileaks” vetëm email-et e sikletshme të demokratëve.

Refuzimi i republikanit Trump të konkluzionit të CIA-s u bë ndërkohë që ish-kandidati presidencial republikan i vitit 2008, Senatori John McCain, dhe tre senatorë të tjerë, bënë thirrje për një hetim të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhje, duke thënë se kjo “duhet të alarmojë çdo amerikan”. Zoti McCain, së bashku me republikanin Lindsey Graham dhe demokratët Jack Reed dhe Chuck Schumer, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund “rrezikut serioz ndaj sigurisë tonë kombëtare nga sulme kibernetike të kryera nga qeveri të huaja”.

Edhe përpara se zoti Trump të përqeshte konkluzionin e CIA-s në këtë intervistë për kanalin “Fox News”, ekipi i tij i tranzicionit e dënoi agjensinë e zbulimit duke deklaruar se “këta janë të njëjtit njerëz që thanë se Saddam Hussein ka armë të shkatërrimit në masë”, dhe duke shtuar se zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe se “është koha të lëvizet përpara për ta bërë Amerikën sërish madhështore”.

Në intervistë, zoti Trump lavdëroi shefin ekzekutiv të firmës “ExxonMobil”, Rex Tillerson, një kandidat kryesues për t’u bërë sekretar shteti, si një person me kontakte në mbarë botën dhe që ka bërë marrëveshje hidrokarburesh me Rusinë. Por, zoti McCain dhe zoti Graham gjithashtu shprehën shqetësim për përzgjedhjen e 64-vjeçarit Tillerson dhe të lidhjeve të tij me Presidentin rus Vladimir Putin.

Megjithëse nuk është bërë një njoftim, ndihmësa të zotit Trump thonë se Presidenti i zgjedhur është përqëndruar tek zoti Tillerson për postin e kryediplomatit amerikan, pas gati një muaji kërkimi kandidaturash. Megjithëse nuk e konfirmoi emërimin, zoti Trump tha se zoti Tillerson ka “avantazhin e madh” që njeh shumë udhëheqës botërore në mbarë globin dhe se “i njeh ata shumë mirë”.

Por, mbështetja e tij e kahershme për tregtinë e lirë dhe për një prezencë të gjerë në Lindjen e Mesme janë në kundërshti me pozicionet që zotit Trump mbajti gjatë fushatës presidenciale.

“Ai është shumë më tepër se një drejtues biznesi,” tha zoti Trump. “Ai është një lojtar i klasit botëror. Ai drejton një kompani nafte, e cila ka dyfishin e përmasave të firmës më të afërt konkuruese. Ai arrin marrëveshje të mëdha në Rusi. Ai arrin marrëveshje për kompaninë, jo për veten, por për kompaninë.”

Zoti McCain tha se përzgjedhja e zotit Tillerson përbën një shqetësim për të.

“I duhet dhënë koha e mjaftueshme presidentit të zgjedhur amerikan pasi populli e zgjodhi atë. Por, Vladimir Putin është një gangster, një kokorroç dhe një vrasës, dhe kushdo që e përshkruan ndryshe gënjen”, tha zoti McCain.

Pas marrëveshjeve të naftës të zotit Tillerson me Rusinë, Kremlini i dha “Urdhërin e Miqësisë”, një nder që u rezervohet shtetasve të huaj. Emërimit të zotit Tillerson do t’i duhet konfirmim nga Senati, dhe zoti Graham tha se me medaljen që i është dhënë nga Rusia, “do të duhet t’i drejtojmë disa pyetje. Nuk dua ta paragjykoj personin, por ky është një fakt trazues.”

Zoti Tillerson, drejtor ekzekutiv i kompanisë më të madhe në botë, mbikqyr operacione në mbi 50 vende, përfshirë në Rusi. Firma “ExxonMobil” nënshkroi një marrëveshje eksplorimi dhe prodhimi të naftës në vitin 2011 me kompaninë më të madhe shtetërore të naftës në Rusi, “Rosneft”. Që nga viti 2011, dy kompanitë kanë zhvilluar 10 projekte të përbashkëta në Rusi.

Zoti Tillerson u takua privatisht me presidentin e zgjedhur të martën dhe sërish të shtunën, pas rekomandimit të ish-Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice dhe ish-Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gates. Një zyrtar i ekipit të tranzicionit tha se zotit Trump i kanë lënë mbresa stili dhe eksperienca e zotit Tillerson.

Donald Trump – afrikanoamerikanëve: Faleminderit që nuk votuat në zgjedhjet presidenciale

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka falënderuar afrikano-amerikanët që nuk kanë votuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Ai ka thënë gjatë një tubimi në Grand Rapids, Michigan, se votuesit me ngjyrë të zezë, të cilët kishin qëndruar në shtëpi ditën e zgjedhjeve, ishin po aq të mirë sa personat që votuan për të, transmeton Express.

“Komuniteti afrikano-amerikan ka qenë i mrekullueshëm për ndaj nesh,” ka thënë Trump.

Sondazhet pas zgjedhjeve kanë treguar se Trump mori vetëm tetë për qind përkrahje në mesin e personave me ngjyrë, krahasuar me 89 për qind sa kishte marrë Hillary Clinton./Express/

Kulla “Trump”, ku vendoset për administratën e re

Një prej zonave me të pasura të Nju Jorkut, që njihet për shkëlqimin dhe luksin, është kthyer në arenën kryesore politike të vendit. Kulla “Trump”, e njohur ndryshe edhe si “Shtëpia e Bardhë në Veri”, është zyra kryesore dhe shtëpia e presidentit të zgjedhur. Ajo është shdërruar në “mekën” e turistëve, por në një makth të vërtetë për punonjësit e sigurisë dhe sfidë më vete për gazetarët. Në vazhdim, korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Ramon Taylor, na njeh më nga afër me ndërtesën ku po gatuhet fati i administratës së ardhshme.

Zemra e lagjes së Manhatanit, aty ku ndodhet “Trump Tower”, nuk është vetëm një qendër blerjesh, apo gjuetie për të pasurit dhe të famshmit. Ajo është shtëpia e presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Në hollin kryesor të ndërtesës, përballë katër ashensorëve të praruar, pas një kordoni të kadiftë, që nuk mund ta kalojnë, qëndrojnë gazetarët që ndjekin zhvillimet e tranzicionit për Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë përgjegjësinë të raportojnë hyrjet dhe daljet e ndihmësve kryesorë dhe anëtarëve të mundëshëm të kabinetit Trump.

Një prej gazetarëve i krahason këto ditë të qëndrimit aty, pak a shumë me peshkimin.

Rrimë për një kohë të gjatë në një pozicion ku nuk shohim njeri por nuk duhet të humbasim fokusin. Asnjëherë nuk i dihet kush kalon dhe duhet të jesh gati t’i identifikosh, të hedhësh pyetje, pa asnjë paralajmërim”, thotë Hunter Walker, korrespondent i faqes në internet “Yahoo News”.

Veshja e brendëshme e mermertë me dekoracionet festive, dyqanet e panumerta luksoze, mjediset e shumta për të ngrenë, janë një vend i nxehtë edhe për turistët, të cilët gjithëaq shpresojnë të jenë dëshmitarë të asaj që ndodh aty.

“Ushqimi është shumë i mirë, shërbimi i mrekullueshëm, ndërtesa e mahnitshme. Na pëlqen atmosfera” thotë turistja nga Teksasi, Susan Neighbors.

Ndërtesa 202 metra e lartë është shtëpia e miliarderit Donald Trump, sot presidenti i zgjedhur i Amerikës. Po aty jetojnë personalitete të tjera, si ylli i kinemasë Bruce Willis dhe ai i futbollit Cristiano Ronaldo, përfshirë bizneset e sërës së lartë si Gucci.

Por gjatë këtij sezoni blerjesh, bizneset që rrethojnë Trump Tower, po vuajnë probleme financiare, për shkak të logjistikës që rrethon presidentin e zgjedhur.

Problemi ynë është se është kufizuar rreptësisht kalimi i konsumatorëve në këtë zonë. Bazuar në bisedat që kam bërë me biznesmenë të tjerë flasim për dhjetra milionë dollarë humbje, vetëm për sezonin e Krishtlindjeve”, thotë biznesmeni Tom Cusick.

Kryebashkiaku i qytetit thotë se përparësitë e tij janë të fokusuara gjetkë.

Jeta ime nuk rrotullohet rreth Guccit dhe Tiffany-t, por mund të them që trafiku është shumë problematik” thotë kryebashkiaku i Nju Jorkut Bill De Blasio.

Dhe me ç’duket do të vazhdojë të jetë, për shkak se Melani Trump dhe djali i saj 10 vjeçar Barron do të vazhdojnë të qëndrojnë në “Trump Tower” deri në përfundim të vitit shkollor në 2017.

Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm policësh për të ruajtur Trump Tower, gjatë 24 orëve”, thotë Carlos Gomez, përfaqësues i departamentit të policisë lokale.

Kostoja për taksapaguesit llogaritet në më shumë se 1 milionë dollare në ditë sipas zyrtarëve. Të papranueshme për shumë, por jo për të gjithë.

Kemi një president që shpenzon shumë kohë gjithandej përveç Shtëpisë së Bardhë, që na kushton shumë para. Kjo është shtëpia e tij dhe për mua nuk është problem”– thotë një mbështetës i Donald Trumpit, Pim Couch.

Derisa presidenti i zgjedhur të betohet dhe të marrë zyrtarisht detyrën, “Shtëpia e Bardhë në Veri” siç njihet kulla “Trump”, do të vazhdojë të përbëjë një object të rëndësisë së veçantë për policinë e Nju Jorkut dhe shërbimet sekrete amerikane, përveç shtëpisë së re të zotit Trump në kryeqytet.

SHBA: Shefi i kompanisë Exxon – favorit për sekretar shteti

Pamje e Shtëpisë së Bardhë në Uashington

Shefi ekzekutiv i kompanisë Exxon Mobil, Rex Tillerson, kompania e të cilit ka interesa të gjëra për shpime në Rusi, është paraqitur si kandidat udhëheqës për tu bërë sekretar i ardhshëm amerikan i shtetit, kanë raportuar mbrëmë mediat në Shtetet e Bashkuara.

Agjencia Reuters dhe e përditshmja, Wall Street Journal, kanë cituar ndihmës të lartë të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, që kanë thënë se tash favorizohet Tillerson pasi do të ishte “një kthesë” meqë për të parën herë, do ta sillte përvojën e një ekzekutivi të një korporate në postin më të lartë diplomatik.

Rex Tillerson është bërë i njohur nëpërmjet biznesit të Exxonit me Rusinë në fushën e energjisë, ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nderuar atë me medaljen e Urdhërit të Miqësisë në vitin 2013, për atë që Kremlini e ka cilësuar si “kontribut të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit në karburant dhe sektorin e energjisë”.

Derisa janë paraqitur raportet për nominimin e mundshëm të zotit Tillerson, kandidati tjetër për këtë post, Rudolph Giuliani, ka shpallur se tërhiqet nga kjo kandidaturë.

Donald Trump është takuar me Rex Tillersonin më 6 dhjetor dhe ndoshta gjatë fundjavës do të bisedoj përsëri me të, kanë thënë ndihmësit e afërt të zotit Trump.

Por, sipas tyre, derisa Tillerson është tash favorit për postin e sekretarit amerikan të shtetit, edhe kandidatët e tjerë mbesin aktualë, përfshirë të nominuarin republikan për president në vitin 2012, Mitt Romney, ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton, senatori Bob Corker, dhe gjenerali i pensionuar, James Stavridis.

Tërhiqet Rudi Xhuliani, nuk do jetë pjesë e administratës Trump

Ndonëse është shfaqur prej kohesh si njëri prej mbështetsve më të mëdhenj të manjatit dhe nuk ngurroi të bëhej pjesë aktive e fushatës së tij presidenciale, Rudi Xhuliani nuk do të ketë një vend në administratën Trump.

Ekipi i tranzicionit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara njoftoi përmes një deklarate se Xhuliani është tërhequr nga pretendimet për një post të caktuar, i cili sipas raporteve në media ështe ai i sekretarit të shtetit.

“The New Yorker” ishte shprehur me heret se ish kryebashkiaku i Nju Jorkut nuk do të vihet në krye të diplomacisë amerikane. Sipas revistës, miku i vjetër besnik është lënë jashtë përpjekjeve për krjimin e ekzekutivit dhe është zëvendsuar nga konservatorë të tjerë.

Në fakt, disa prej ndjekësve të hershëm të Trumpit, qofshin ata personazhe të profilit të lartë si Xhuliani apo edhe pjestarë stafi të fushatës të cilët që e kanë mbështetur që në hapat e parë të përpjekjes për Shtëpinë e Bardhë, shprehen të zhgënjyer nga mënjanimi që po u bëhet.

Chris Christie është një tjetër politikan i pashpërblyer për mbështetjen e tij. Guvernatori i Nju Xhersit nuk dëshiron megjithatë të bëhet më pjesë e spekullimeve publike e thotë se do të jetë i kënaqur nëse mbetet në nivelin e këshilltarit jozyrtar. Për postin e shefit të diplomacise vazhdon të lakohet emri i ish kritikut të ashpër të Trumpit, Mitt Romney.

Trumpi vetë nderkohe mësohet se do të vazhdojë të mbetet producent ekzekutiv i reality show-t “Celebrity Apprentice”, moderatori i ri i të cilit Arnold Schwarzenegger e mbrojti këtë vendim duke thënë se ngjason shumë me tranzicionin e tij mes argëtimit dhe politikës.

Zbulimi i CIA-s: Rusia ndihmoi Donald Trumpin të bëhej President i SHBA-ve

Agjencia amerikane e inteligjencës, CIA ka arritur në përfundim se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet Presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta ndihmuar kandidatin e Republikanëve, Donald Trump, që të zgjidhet President shkruan Washington Post.

Ndërkohë ekipi i Donald Trumpit ka hedhur poshtë çdo akuzë, që përmban raporti i CIA-s. Ata mohuar pretendimet e CIA, duke thënë se “këta janë njerëzit e njëjtë të cilët thonin se Saddam Hussein ka pasur armë të shkatërrimit në masë.”

Washington Post shkruan se agjencitë e inteligjencës kanë identifikuar individë që kanë lidhje me qeverinë ruse, të cilët kanë hakuar mesazhet elektronike (e-mail¬a) të kampit Demokrat dhe madje edhe mesazhet nga Konventa Nacionale e Demokratëve, përfshirë edhe udhëheqësin e fushatës elektorale presidenciale të Hillary Clinton, dhe këto mesazhe ia kanë dhënë WikiLeaks¬it.

Zyrtarët e cituar i kanë përshkruar këta persona si të njohur për komunitetin e shërbimeve të inteligjencës dhe ata kanë qenë pjesë e operacionit të gjerë rus për ta ndihmuar Trump-in dhe zvogëluar shanset e Clinton për të fituar zgjedhjet.

“Është vlerësim i komunitetit të inteligjencës që qëllimi i Rusisë këtu ishte të favorizonte një kandidat përkundrejt tjetrit – të ndihmohet Trump të zgjidhej”- kanë deklaruar.

CIA, ka treguar se ky është një vlerësim i bërë nga mbledhja e fakteve nga burime të shumta. CIA, po ashtu u ka thënë senatorëve se tani “është bukur e qartë”, se zgjedhja e Trump-it ishte qëllimi i Rusisë, shkruan Washtington Post, duke cituar zyrtarët amerikanë.

Në tetor qeveria e SHBA-ve zyrtarisht kishte akuzuar Rusinë për një fushtatë të sulmeve kibernetike kundër Partisë Demokratike para zgjedhjeve të tetë nëntorit.

Punimet e përbashkëta të 17 shërbimeve të intelegjencës

Raporti në fjalë i përgatitur nga 17 shërbime të inteligjencës në SHBA nga ana e CIA-s u është prezantuar senatorëve në Kongresin Amerikan dhe këto vlerësime janë regjistruar si “rezultat i përbashkët”. Por, u bë e ditur se në raport nuk është shënuar asnjë informacion ku theksohet se çfarë urdhri ka ardhur nga Kremlini.

Sipas lajmeve u bë e ditur se zyrtarë të CIA-së besojnë se zyrtarë të qeverisë Ruse “qëndrojnë një hap pas”.

Nga ana tjetër disa media amerikane theksuan se disa hakerë të lidhur me Rusinë kanë hakuar të dhënat e Partisë Republikane, por se informacionet e siguruar nuk i kanë përdour në anjë rast.

Urdhëri për hetime nga Obama

Ditën e premte presidenti i SHBA-ve Barack Obama ka dhënë një urdhër për hetimin e sulmeve kibernetike në zgjedhjet presidenciale dhe pohimeve për sulm të jashtëm.

Obama ka kërkuar që këto hetime të përfundojnë para 20 dhjetorit të vitit 2017. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schulz urdhërin e presidentit Obama e ka vlerësuar me fjalët: “Kjo nuk është përpjeke për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve. Ne u shprehëm se kush fitoi zgjedhet. Nuk jemi duke hetuar vërtetësinë e zgjedhjeve”.

Më 7 tetor Departamenti i Sigurisë së Brendshme të SHBA-ve dhe Drejtoria për Inteligjencë Kombëtare zyrtarisht kanë akuzuar Rusinë për sulm ndaj institucioneve të Partisë Demokratike dhe sulm ndaj fushatës parazgjedhore.

“Komuniteti i zbulimit amerikan është i bindur se qeveria ruse ka luajtur rol në qasjen e postave elektronike të personave duke përfshirë këtu edhe disa organizime politike në SHBA dhe institucioneve amerikane”, thuhet në deklaratë.

Në zgjedhjet e 8 nëntorit të cilat ishin zgjedhet e 58-ta me radhë në SHBA fitoi kandidati republikan Donald Tramp ndaj ish Sekretares Shtetërore, Hillary Clinton.

SHBA: Kalon legjislacioni i mbrojtjes, përfshirë edhe të drejtat e njeriut

Kongresi i Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur legjislacionin, me të cilin presidentit amerikan i jepet autoritet i ri, më i gjerë, për imponim të sanksioneve kundër shkelësve të të drejtave të njeriut në gjithë botën, duke e plotësuar një ligj të mëparshëm, që e kishte zemëruar pa masë presidencën e Rusisë.

Kjo masë, formalisht e njohur si Akti Global Magnitsky për Përgjegjësinë për të Drejtat e Njeriut, ka kaluar në Senat me 92 për dhe 7 vota kundër, në kuadër të legjislacionit më të gjerë, ku jepen udhëzimet për prioritetet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara për vitin e ardhshëm.

Masa e re është modeluar pas Aktit Magnitsky, që ishte një legjislacion që ka kaluar në vitin 2012, me të cilin ndëshkohen shtetasit e Rusisë, për të cilët Uashingtoni konsideron se janë shkelës të të drejtave të njeriut, duke ua ndaluar atyre hyrjen në Shtetet e Bashkuara dhe duke i bllokuar pasuritë që ata mund t’i kenë në SHBA.

Magnitsky – avokati që i zbuloi mashtrimet tatimore ruse

Ky legjislacion e bart emrin e Sergei Magnitskyt, një avokat rus, që ka ndihmuar në zbulimin e dëshmive për vjedhje masive tatimore. Ai ishte burgosur nga autoritetet ruse dhe më vonë pati vdekur në një burg famëkeq në Moskë. Mbështetësit e tij, qeveritë perëndimore dhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, thonë se ai ishte torturuar dhe nuk i ishte dhënë trajtim mjekësor.

Shumica prej 39 shtetasve të Rusisë, që janë goditur nga kjo masë në vitin 2012, ishin akuzuar se ishin të ndërlidhur ose me vdekjen e Magnitskyt në vitin 2009, ose me vjedhjen e 230 milionë dollarëve tatime, që ai i kishte identifikuar, derisa punonte për firmën Harmitage Capital Management.

I zemëruar pa masë nga legjislacioni i Shteteve të Bashkuara, Kremlini u hakmor në vitin 2012, duke e ndaluar adoptimin e fëmijëve rusë nga shtetasit amerikanë dhe duke mos i lejuar disa amerikanë që të hyjnë në Rusi.

Legjislacioni i ri e autorizon presidentin e Shteteve të Bashkuara për të imponuar ndalesa të vizave, ngrirje të pasurive dhe masa të tjera ndëshkuese kundër çdokujt që merr në shënjestër personat që e zbulojnë korrupsionin ose ata që i shfrytëzojnë të drejtat themelore të njeriut, siç është liria e të shprehurit, liria e religjionit ose e drejta e tubimit.

Në shënjestër të kësaj mase amerikane, po ashtu, janë zyrtarët qeveritarë të angazhuar në “korrupsion të rëndësishëm”, siç është përvetësimi i pasurive shtetërore në mënyrë ilegale ose fshehja e përfitimeve të paligjshme jashtë shtetit.

Republikani Rohrabacher ishte kundër legjislacionit

Mbështetësi i këtij legjislacioni, senatori demokrat, Ben Cardin, tha se “shkelësit e mëdhenj të të drejtave të njeriut dhe ata që angazhohen në akte serioze të korrupsionit, nuk mund t’u ikin pasojave të aksioneve të tyre, edhe nëse vendi i tyre dështon të veprojë”.

Më tutje, ai theksoi se “vizitat në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimi i institucioneve tona financiare, janë privilegje, që nuk duhet të zgjerohen te aktorët më të këqij në sistemin ndërkombëtar”.

Kjo pjesë e legjislacionit i ishte bashkuar ligjit më të gjerë të politikës së mbrojtjes, që formalisht njihet si Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili detyrimisht duhet të miratohet, pasi ka të bëjë me operacionet ushtarake amerikane në gjithë botën.

Dhoma Përfaqësuese e kaloi këtë legjislacion më herët këtë muaj dhe pritet që së shpejti presidenti në largim, Barack Obama, ta nënshkruajë dhe ta shndërrojë në ligj.

Ky ligj ka hasur në rezistencë të vogël. Megjithatë, kundërshtari më i ashpër ishte anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Dana Rohrabacher, republikan nga Kalifornia, i cili kishte udhëtuar në Moskë dhe raportohet se ishte takuar me përfaqësuesit e Zyrës së prokurorit të përgjithshëm të Rusisë dhe me një aleat të afërt të presidentit Vladimir Putin.

Në dëgjimin në Nën-komitetin për punë të jashtme të Dhomës Përfaqësuese, mbajtur pak para votimit, Rohrabacher e ka përsëritur argumentin e tij se një legjislacion i tillë për të drejtat e njeriut nuk do të duhej ta kishte emrin e Magnitskyt, duke sugjeruar se ai ndoshta pa nevojë e ka ofenduar ose provokuar Rusinë.

“Mendoj se rusët janë keqtrajtuar në rastin Magnitsky, pasi ky titull ndoshta është sugjerues se diçka është bërë e që nuk është dëshmuar ende”, tha ai në dëgjim.

Nëse kjo masë shndërrohet në ligj, është e paqartë nëse Donald Trump, pasardhës i presidentit Obama, do ta shfrytëzoj këtë autoritet, kur ai e fillon presidencën më 20 janar të vitit 2017.

Trump ka sinjalizuar se dëshiron qasje më pajtuese ndaj Rusisë dhe publikisht ka treguar pak interesim për çështjet globale për të drejtat e njeriut.

Legjislacioni i mbrojtjes përmban edhe dispozita që me gjasë do ta irritojnë Rusinë. Aty përfshihet edhe ndalesa e fondeve për kontatket ushtarake ndërmjet Pentagonit dhe Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, që është përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës dhe për përfshirje të Rusisë në konfliktin në Ukrainë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Zëri i Amerikës: Mesazhe kontradiktore për politikën e jashtme nga presidenti i zgjedhur Trump

Në një tubim “falenderimi” për përkrahësit e tij pranë bazës më të madhe ushtarake amerikane Fort Bragg, Preisdenti i zgjedhur Donald Trump prezantoi të emëruarin e tij për Sekretar Mbrojtjeje dhe bëri thirrje që t’i jepet fund “ciklit të ndërhyrjeve ushtarake dhe kaosit”. Disa komentues e interpretuan këtë shprehje si një thirrje për një qendrim “kundër ndërhyrjeve” në marrëdhëniet me jashtë. Por, politika e jashtme e zotit Trump, mbetet e një punë në proces, madje ndoshta edhe një seri kontradiktash.

Ndërsa vazhdonte turneun e fitores zgjedhore përreth vendit, presidenti i zgjedhur Trump iu rikthye njërës nga temat që e ka përmendur më shpesh në fushatë.

“Ne nuk do të vazhdojmë të përmbysim regjime të huaja, të cilat as nuk i njohim dhe me të cilat nuk duhet të merremi. Ne duhet të përqendrohemi tek mposhtja e terrorizmit dhe shkatërrrimi i ISIS-t dhe këtë do bëjmë”.

Mes brohoritjeve të simpatizantëve të tij, zoti Trump prezantoi të zgjedhurin e tij për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, gjeneralin në pension, James Mattis dhe rikonfirmoi një premtim tjetër të fushatës, konsolidimin e ushtrisë “së dobësuar” të Amerikës, siç e quajti ai.

Por presidenti i zgjedhur, u ofroi gjithashtu një sinjal pajtimi anëtarëve të NATO-s, që ende janë të nervozuar nga mesazhet shqetësuese të zotit Trump gjatë fushatës për aleatët.

“Ne nuk harrojmë. Ne duam të forcojmë miqësitë e vjetra dhe të krijojmë të reja”, tha ai.

Premtimi i zotit Trump për t’I dhënë fund “ciklit shkatërrues të ndërhyrjeve dhe kaosit” u interpretua nga disa vëzhgues si një thirrje për një politikë të jashtme kundër ndërhyrjeve. Por eksperti i politikës së jashtme, Michael O’Hanlon thotë se ky është një thjeshtëzim I tepruar.

“Mendoj se çdo rajon është i ndryshëm. Zoti Trump ka thënë se do që të shkatërrojë ISIS-in. Nuk më duket një mesazh kundër ndërhyrjes ushtarake.”

Gjatë fushatës, zoti Trump vazhdimisht sulmoi rivalen e tij, Hillary Clinton, për mbështetjen e saj ndaj ndërhyrjeve ushtarake në Irak dhe Libi, politika që ai tha se ishin përgjegjëse për paqendrueshmërinë dhe terrorizmin në rajon.

Zoti Trump mbështet goditjet e kufizuara kundër ISIS-it, në vend të ndërhyrjeve të gjera ushtarake.

“Domethënë, mund të përdorë më shumë goditje specifike kundër objektivave të caktuara, me një prani të kufizuar amerikane në terren”.

Emërimi i gjeneralit në pension Mattis, një udhëheqës ushtarak me përvojë të gjatë pune me NATO-n, është një sinjal pozitiv për udhëheqësit e politikës së jashtme dhe aleatët.

“Për një muaj, pasi është zgjedhur, ai e ka moderuar tonin përçmues për shumë nga aleancat dhe ka qenë më i kujdesshëm në pothuajse çdo mesazh që ka përcjellë, veçanërisht me zgjedhjen e gjeneralit Mattis për të drejtuar Pentagonin”.

Por zoti Trump ka emëruar edhe kandidatë të tjerë me pikëpamje luftarake dhe ndërsa ceremonia e betimit të tij, është vetëm pas dy muajsh, ekspertët thonë se politika e tij e jashtme mbetet një punë e pambaruar.

Zgjedhjet në SHBA, tema më e diskutuar në Facebook për 2016

Facebook thotë se tema më e diskutuar në botë për vitin 2016 ishin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Ishte viti i dytë radhas që zgjedhjet ishin çështja për të cilën u fol më shumë në platformën e medias sociale.

Temat e tjera në dhjetëshen më të debatuar, ishin “Politika braziliane”, “Pokemon Go”, “Black Lives Matter”, “Rodrigo Duterte & Zgjedhjet Presidenciale në Filipine”, “Lojrat Olympike”, “Brexit”, “Super Bowl”, “David Bowie” dhe “Muhammad Ali”.

“10 momentet kryesore të Përmbledhjes së Vitit, u zgjodhën duke pasur parasysh se sa shpesh ishte përmendur një temë në postime në Facebook, nga 1 janari në 27 nëntor, 2016”, shkruhej në një postim në faqen e Facebook-ut të enjten.

Facebook Live, kishte një listë të ndryshme.

Videoja më e shikuar në aplikimin Facebook Live ishte ajo e një gruaje me maskë Chewbacca, një personazh në filmat Star Wars. Ajo u bë e njëhur e emrin “Mamaja Chewbacca.”

Duke pasur parasysh se sa shumë amerikanë i marrin lajmet në Facebook, ka pasur spekullime se faqja është e mbushur me lajme të rreme, Disa kanë thënë se lajmet e rreme ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve.

Shefja e Operacioneve në Facebook, Sheryl Sandberg tha se nuk mendon se lajmet e rreme ndikuan tek rezultati i zgjedhjeve.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg e mbrojti kompaninë e tij në nëntor, duke thënë se numri i lajmeve të rreme në Facebook është i vogël. Megjithatë ai shtoi se kompania e tij do të marrë masa për të eliminuar keqinformimet në faqe.

Gjatë fushatës, një ish-punonjës i Facebook-ut tha se kompania po i shmangte lajmet nga organet konservatore të mediave. Kompania reagoi duke pushuar nga puna disa punonjës të seksionit “Trending Topics”, “Temat më të Ndjekura” dhe e bëri automatik procesin e pëerzgjedhjes së këtyre temave./ZiA

Presidenti Obama kërkon një raport për sulmin kibernetik të Rusisë

Shtëpia e Bardhë tha të premten se Presidenti Obama ka kërkuar shqyrtimin me kujdes të informacioneve të zbulimit lidhur me një sulm kibernetik të Rusisë gjatë zgjedhjeve të 8 nëntorit të këtij viti. Por Presidenti ka kërkuar që në këtë raport të përfshihen edhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Eric Schultz tha sot në një konferencë shtypi se “Presidenti kërkoi një shqyrtim të hollësishëm për aktivitet keqdashës kibernetik ndaj ciklit të zgjedhjeve presidenciale amerikane.”

Kërkesa e zotit Obama përkon me shtimin e presionit nga Kongresi për infomacion më të hollësishëm dhe të saktë ndaj publikut, lidhur me veprimet e Moskës për të ndërhyrë në procesin elektoral.

Sipas mediave amerikane, Presidenti Obama ka kërkuar që të hartohet një raport mbi këtë çështje, para se ai të largohet nga posti më 20 janar.

Më 7 tetor, organet amerikane e akuzuan zyrtarisht Rusinë se po përpiqej të ndërhynte tek zgjedhjet presidenciale përmes aktivitetit të piraterisë të “organizatave politike.”

Edhe pse në deklaratë nuk u tha asnjëherë se cila parti kishte rënë pre e sulmit kibernetik rus, ishte e qartë se zyrtarët i referoheshin ndërhyrjes tek kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe grupe të tjera të Partisë Demokrate.

E-mailet e piratuara që ishin të dëmshme për partinë dhe zonjën Hillary Clinton, shumë shpejt u shfaqën tek faqet e internetit, si WikiLeaks.

Ligjvënësit amerikanë kërkojnë sqarime për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale

Senatori Lindsey Graham

Ligjvënës amerikanë të të dyja partive politike, thanë së është borxh ndaj qytetarëve amerikanë një llogaridhënie e hollësishme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar, ndërsa një përfaqësues i rëndësishëm republikanë bëri thirrje për sanksione ndaj hakerëve rusë.

“Është e qartë që Rusia është përfshirë në zgjedhjet e fundit dhe ka mbledhur të dhëna për të dyja palët, ndërsa ka publikuar të dhëna vetëm për njërën palë (për të dëmtuar demokratët) në një përpjekje për të ndikuar zgjedhjet”, i tha Zërit të Amerikës kreu i demokratëve në komitetin e zbulimit Dianne Feinstein.

Senatori republikan, Lindsey Graham, u pajtua.

“Ka shumë dëshmi që ata ndërhynë në zgjedhjet tonë duke hakuar sistemet dhe duke i bashkuar forcat me të tjerët që të japin informacion që ishte i favorshëm për njërën palë kundër tjetrës” tha tha Graham, duke shtuar se “ky është një precedent që nuk mund të lejojmë që ta kalojë pa u vërejtur”.

“Unë dua të gjejmë se çfarë kanë bërë, faktet kundrejt fiksioneve dhe të vendosim sanksione që do t’i shkaktonin dhimbje Rusisë – individëve në Rusi (përgjegjës për ndërhyrjet)”, theksoi Graham.

Pohimet e tilla mund të çojnë në përplasje me të mundshme me presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump, i cili ka pohuar se zgjedhjet ishin të lira nga ndërhyrjet ruse.

Në një deklaratë të rrallë publike në tetor, zyrtarët e qeverisë së SHBA-së thanë se sulmet kibernetike mbi organizatat politike demokratike dhe emailet e personelit të ish-kandidates demokrate, Hillary Clinton, u drejtuan nga “zyrtarë të lartë rusë”.

Shumë demokratë nga të dyja dhomat e Kongresit i shkruan Shtëpisë se Bardhë me kërkesën që të bëhen të ditura më shumë informacione rreth kësaj çështjeje.

Feinstein nuk e kishte hedhur emrin e saj në letër duke theksuar se tash për tash nevojitet me shumë durim.

“Hetime të caktuara janë ende duke u zhvilluar. Mendoj se ato duhet të kompletohen para se të dalin informacionet:, tha Feinstein. “Një ditë të gjitha do të dalin ne shesh”.

Ligjvënësit demokrat Eric Swalëell and Elijah Cummings, nxorën të mërkurën ligjin për krijimin e një paneli të të dyja partive për të hetuar ndërhyrjen ruse.

Republikani Graham tha se çështja nuk është partiake. Ndërsa demokratët ishin në shënjestër të këtij viti, republikanët mund të jenë në shënjestër të një vendi tjetër në zgjedhjet e ardhshme, tha ai.

“Çfarë nëse iranianët e bëjnë këtë? Nëse Trumpi do të jetë i rreptë me iranianët sic ka thënë se do të jetë, mund të shohim një ndërhyrje në palën republikane. Dhe kjo mund të çojë në kaos”, tha Graham.

Çështje e hapur mbetet se si arritën hakerët e huaj tek emailet e fushatës së zonjës Clinton dhe i publikuan ato nëpërmjet WikiLeaks në periudhën përmbyllëse të fushatës presidenciale.

Senatori demokrat, Ben Cardin, tha se pret që më shumë informacione të dalin në ditët në vazhdim nga administrata e presidentit Obama.

Senatorët republikanë e sfidojnë Trumpin, verifikojnë ndërhyrjet e Rusisë

 

Ky është një qëndrim i kundërt i partisë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump i cili i fitoi zgjedhjet si i nominuar i republikanëve.

Trump ka hedhur poshtë dyshimet se Rusia ka pasur ndonjë rol në zgjedhjet e nëntorit, ndërsa është shprehur se ka dëshirë “t’ia kalojë më mirë” me Rusinë.

Udhëheqësi i Komitetit për Shërbimet Ushtarake të Senatit, John McCain, është duke e përgatitur një hetim rreth ndërhyrjeve kibernetike ruse në sistemin e armatimit amerikan.

Udhëheqësi i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, të cilin Trump e ka pasur si kandidat për Sekretar të Shtetit, gjithashtu ka qëllim që të mbajë seanca dëgjimore gjatë vitit të ardhshëm rreth dyshimeve për ndërhyrjet kibernetike ruse.

McCain dhe Senatori Lindsey Graham janë dy republikanët që po mbajnë qëndrimet më të ashpra ndaj Rusisë, ndërsa kanë qenë shumë kritik edhe ndaj Trump për lëvdatat që i ka thënë për presidentin rus, Vladimir Putin.


Send this to a friend