VOAL

VOAL

Konfuzion, protesta pas urdhrit ekzekutiv për kufizimin e emigracionit

protestues në aeroportin e Çikagos

 

Protestat ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump që vendos kufizime për hyrjen në Shtetet e Bashkuara ndaj qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë myslimane pritet të vazhdojnë edhe sot, ndërkohë që një gjykatë federale bllokoi përkohësisht deportimin e këtyre personave.

Urdhëri shkaktoi konfuzion të gjerë, ndërsa refugjatë, rezidentë me karta të gjelbra, studentë dhe punonjës u mbajtën në aeroportet amerikane, ose u ndaluan të hipin në avionët e linjave ajrore që udhëtojnë drejt SHBA-së.

Në orët e vona të ditës së djeshme, Gjykatësja Ann Donnelly, e distriktit të Nju Jorkut, lëshoi një urdhër emergjence që bllokon përkohësisht deportimin e personave që janë ndaluar pasi kanë mbërritur në aeroportet amerikane me viza të rregullta. Urdhëri gjithashtu nuk lejon ndalimin e refugjatëve që kanë aplikuar tashmë.

Gjykatësja Donnelly shprehet në urdhërin e saj se “ekziston rreziku që, edhe pa deportimin, të shkaktohen dëme thelbësore dhe të pariparueshme ndaj refugjatëve, udhëtarëve me viza, si dhe individëve të tjerë nga kombe të tjera” që bëhen subjekt i urdhërit të Presidentit.

Të shtunën, grupe të mëdha protestuesish u mblodhën në disa aeroporte amerikane për të protestuar dhe avokatët, shumica nga Bashkimi Amerikan për Liritë Civile, shkuan në aeroporte për të ndihmuar të ndaluarit ose udhëtarë të tjerë me destinacion Shtetet e Bashkuara që janë bllokuar jashtë vendit.

Në një deklaratë që nxorri sot Departamenti i Sigurisë Kombëtare, thuhej se kjo agjenci do ta respektojë vendimin e gjykatës, por më tej shtohej se “do të zbatojë gjithashtu “urdhrin ekzekutiv të Presidentit për t’u siguruar që ata që hyjnë në Shtetet e Bashkuara nuk përbëjnë kërcënim për vendin tonë dhe popullin amerikan”. Sipas njoftimeve nga autoritetet federale, të paktën 170 vetë janë ndaluar që kur Presidenti Trump nënshkroi urdhrin të premten.

Në protestat kundër Trumpit: ‘Budalla brina s’ka’

Në protesta kundër presidentit amerikan, Donald Trump, i cili vendosi të ndaloj hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtetasit e gjashtë vendeve të banuara me myslimanë, ka edhe shqiptarë, njofton Klan Kosova.

Në porositë e shumta për Trump e kundër tij është parë edhe një baner me një thënie që jo rrallë dëgjohet ndër shqiptarë.

“Budalla brina s’ka”, thuhet në panon e një protestuesi që po kundërshton vendimin e Presidentit të ri amerikanë për moslejimin e myslimanëve në SHBA.

SHBA, protesta masive në aeroporte për shkak të dekretit të Trumpit

Vendimi i presidentit amerikan Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e refugjatëve në SHBA dhe hyrjen e shtetasve të shtatë vendeve myslimane ka shkaktuar protesta masive në të gjithë vendin

NEW YORK – Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe hyrjen e shtetasve të shtatë vendeve myslimane ka shkaktuar protesta masive në të gjithë vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Mijëra njerëz u mblodhën në aeroporte pasi disa njerëz të cilët kanë udhëtuar për në SHBA janë arrestuar, ndërsa disa individë u ndaluan të hipin në avionë.

Refugjatët, studentët dhe punëtorët të cilët kanë viza dhe karta të gjelbra të miratuara më parë, nuk lejohen të hyjnë në fluturim për në SHBA, dhe se, sipas mediave, kjo ka ndodhur në Amsterdam, Frankfurt, Kajro dhe në qytete të tjera në të gjithë Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Në aeroportin John F. Kennedy në New Jork, ku të shtunën janë ndaluar 12 persona, u mblodhën më shumë se 2.000 persona që mbanin parula “Lëshoni!” të cilët shprehën pakënaqësinë për shkak të vendimit të autoriteteve amerikane për të ndaluar hyrjen e refugjatëve dhe të shtetasve të vendeve të caktuara muslimane.

Në mesin e protestuesve ishte edhe aktorja amerikane Cynthia Nixon.

Një pjesëmarrëse në protesta Pamela French tha se “Atë që ka bërë Doland Trump në 24 orët e fundit është e neveritshme, e turpshme dhe tërësisht joamerikane”.

SHBA: Një gjyqtar e ka bllokuar dëbimin e personave me viza

Pamje e kontrollit të udhëtarëe në aeroportin JFK në Nju Jork

Një gjyqtar federal mbrëmë vonë e ka publikuar një urdhër të jashtëzakonshëm, me të cilin përkohësisht i ka bllokuar autoritetet e Shteteve të Bashkuara nga dëbimi i njerëzve të cilët kanë arritur në aeroportet e Shteteve të Bashkuara me viza të rregullta.

Unioni Amerikan i Lirive Civile thotë se urdhëri ka të bëjë me afro 200 njerëz të arrestuar në aeroportet amerikane ose të cilët janë udhëtarë tranzitorë.

Departamenti i sigurisë së brendshme i Shteteve të Bashkuara tha se më tepër se 190 njerëzve nuk u ishte lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara gjatë 23 orëve të para prej fillimit të zbatimit të një urdhëri të ti ekzekutiv për migrantët.

Vendimi i gjyqtarit federal u bë pas urdhërit ekzekutiv të presidentit , Donald Trump, për “verifikim ekstrem” të vizitorëve nga 7 vende me popullatë shumicë myslimane, që ka çuar në kaos në disa aeroporte amerikane, ku ka pasur protesta të ashpra dhe janë shënuar edhe ankesat e para gjyqësore.

Trumpi pranon ftesën nga Merkel, merr pjesë në samitin G20

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pranuar ftesën e kancelares gjermane Angela Merkel për të marrë pjesë në samitin G20 në Hamburg në korrik të këtij viti.

Trump dhe Merkel ranë dakord në një bisedë telefonike që të gjithë anëtarët e Aleancës të paguajnë pjesën e tyre të kostos së sigurisë kolektive, transmeton lajmi.net.

“Presidenti dhe Kancelarja ranë dakord mbi rëndësinë themelore të NATO-s për marrëdhënie më të gjera transatlantike dhe rolin e saj në sigurimin e paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Deklarata thotë se Trumpi i ka kërkuar Merkelit që sa më shpejt të vizitojë Uashingtonin.

Merkel dhe Trump kanë diskutuar për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe konfliktin në Ukrainën lindore.

Të dy kanë rënë dakord për intensifikimin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si dhe për stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme.

AP raporton se Trump dhe Merkel ranë dakord për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kujtojmë se së fundi Trump ka qenë kritik ndaj NATO-s kur tha se është një organizatë e vjetruar.

Trumpi ka biseduar në telefon me presidentin rus Vladimir Putin, kryeministrin japonez Shinzo Abe, presidentin francez Francois Hollande, dhe i duhet të flas edhe me kryeministrin australian Malcolm Turnbull.

1911 – KUR ‘NEW YORK TIMES’ SHKRUANTE PËR BUKURINË E SHQIPTARËVE DHE TRIMËRINË KUNDËR TURQVE


Shqiptarët përshkruhen si “të bukur dhe të talentuar, si skocezët në shekullin e 17-të”

Artikulli flet për Janica Martinaj, vajzën shqiptare që zuri vendin e të atit dhe luftoi kundër turqve në betejën e Vraninës

Prestigjiozja amerikane “New York Times” ka shkruar një artikull më 21 maj 1911, ku përshkruhen ndër të tjera edhe veçoritë e popullit shqiptar. Artikulli i titulluar “Zhan D’ark shqiptare” flet për një vajzë shqiptare, Janica Martinaj, që zë vendin e të atit dhe lufton kundër turqve në betejën e Vraninës. Përveç historisë së vajzës, artikulli i kushton rëndësi edhe figurës së shqiptarëve, të cilët përshkruhen si “të bukur dhe të talentuar, si skocezët në shekullin e 17-të”.

“Fizikisht shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë. Gratë shqiptare janë shumë të bukura, me flokë të errëta dhe më së shumti kanë sy me ngjyrë. Mënyra e tyre e të ecurit është një tjetër element që të bën për vete e sidomos mënyra e tyre e të kërcyerit dhe vallet e tyre kur konkurrojnë në Serbi. Janë si skocezët në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Dhe unë do të thotë se ata janë raca më e mirë në Ballkan nga ana intelektuale dhe fizike. Edhe në Konstandinopojë, do të shihni se ushtarët dhe zyrtarët më të mirë janë Shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në artikull.

Artikulli i plotë në shqip

Një vajzë e re, emri i së cilës përkon me emrin e Vajzës së Orleansit, tani është në këngët e kënduara nga rapsodët malazezë në hanet e kafenetë e Podgoricës. Kur, javën e kaluar, në betejën e Vraninës, babai i saj, kryetari i fisit të tij, ra në betejë, ajo zuri menjëherë vendin e tij dhe i udhëhoqi Martinajt në fitoren kundër turqve. Përtej fazës romantike të ngjarjes, për shkak se Janica Martinaj (Yanitza Martinay) është shumë e bukur, beteja është e rëndësishme, përderisa tregon se malazezët në kufi ishin bashkuar me shqiptarët.

Sipas një personi i cili njihet mirë me të, kjo Zhan d’Ark e re nuk i ka mbushur ende 22 vjeç dhe është “një grua e re, e zhvilluar mirë, e gjatë dhe e bukur”. Të gjitha gratë shqiptare janë të guximshme dhe janë të mësuara që nga vajzëria e tyre me përdorimin e armëve të zjarrit dhe në kohët e luftës, duke qenë se nuk ka mushka, ato ngarkojnë ushqimet e municionin për luftëtarët e tyre dhe shkojnë në vijën e zjarrit për shpërndarjen e tyre.”

“Dhe a janë vrarë ndonjëherë?”

“Po, kjo ndodh shpesh.”

“Janica ndoshta do të ishte duke mbartur ndonjë pushkë të Martinajve, ose, duke qenë se shumë nga të Martinajve janë mbledhur vitin e shkuar prej turqve, arma e saj ndoshta mund të ketë qenë një nga pushkët e modelit të vjetër shqiptar, të cilat janë të zbukuruara bukur me argjend dhe kanë tyta shumë të gjata e të ngushta.”

Shtënia me armë është pothuajse dëfrimi i vetëm i të rinjve dhe të rejave në Shqipëri. Si djemtë edhe vajzat mësojnë për të qëlluar, kur ata janë 12 vjeç. Në dasma dhe festa e zbavitin veten duke hedhur valle e duke shtënë; në pagëzim të shtënat, janë përsëri dëfrimi kryesor – qitja ndaj shënjestrave për trofe të vogla – dhe në festime ka të shtëna gjatë gjithë ditës. Kjo është një nga vështirësitë e mëdha me të cilën turqit duhet të ndeshen, sepse ajo është pjesë e jetës kombëtare; njerëzit i përdorin pushkët e tyre ditën dhe natën flenë me to anash tyre. Ky zakon është shtuar me mbizotërimin e pasigurisë nga gjakmarrja brenda vendit dhe problemet e kufirit jashtë vendit.

Fizikisht, shqiptarët janë raca më e shkëlqyer në Europë. Gratë e tyre janë të pashme, me flokë të errët, edhe pse sytë e tyre nganjëherë janë gri. Të shohësh ato tek ecin, është një kënaqësi. Ne na pëlqeu të shihnim baletin në Serbi. Herën e parë që pashë ecjen e Shqiptareve, ajo më dha të njëjtën kënaqësi. Lëvizjet e tyre janë kaq të këndshme, elegancë e forcë së bashku. Po, ata janë shumë të përsosur dhe një racë shumë e talentuar.

Ata janë si skocezët në shekullin e shtatëmbëdhjetë, dhe ata do të jenë për shumë e shumë kohë raca më e shkëlqyer në Ballkan, si intelektualisht edhe fizikisht. Nëse shkoni në Konstandinopojë do të shihni se shumë prej njerëzve më të shkëlqyer, jo vetëm ushtarë, por edhe shtetarë, janë shqiptarë. Faji i tyre, për shkak të shkallës së tyre aktuale të qytetërimit, është se ata nuk mund të rrokin idenë e shtetit. Fisi është organizimi i tyre më i lartë; ata nuk janë në gjendje të shohin rëndësinë e kombinimit të fisit me organizimin më të lartë të bërjes së një shteti. Por kjo do të ndodhë.

Artikulli origjinal i New York Times:

Urdhri ekzekutiv sjell ndalimin e udhëtarëve nga disa vende brenda dhe në drejtim të SHBA

Disa persona janë ndaluar në aeroporte brenda Shteteve të Bashkuara dhe të tjerë nuk janë lejuar të udhëtojnë për në Amerikë, sipas avokatëve amerikanë dhe zyrtarëve të aeroporteve ndërkombëtare, ndërsa fillon të zbatohet një urdhër ekzekutiv i Presidentit Donald Trump, sipas së cilit kufizohet hyrja e qytetarëve të disa vendeve.

Urdhri ekzekutiv që ndalon qytetarët e shtetë vendeve me shumicë myslimane hyri menjëherë në fuqi natën e së premtes, duke i bllokuar disa vetë në aeroporte në mes të udhtimit.

Gazeta “The New York Times” njofton se juristët kanë ndërmarrë hapa ligjore në emër të dy refugjatëve irakianë që po mbaheshin në aeroportin JFK në New York dhe kërkuan një proces që do ta zgjeronte akt-padinë në mënyrë që të ishte e vlefshme për të gjithë refugjatët që thonë se po ndalohen ilegalisht në aeroportet amerikane.

Avokatët që punojnë për Projektin për Ndihmën ndaj Refugjatëve dhe grupeve të tjera të të drejtave civile, i thane gazetës se një nga dy burrat po mbaheshin në New York, kishte punuar për qeverinë amerikane në Irak për 10 vjet, ndërsa tjetri po vinte në Amerikë, për t’u bashkuar me gruan dhe të birin, që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë problem, pasi klientët tanë arrijnë në aeroportet amerikane. Është tronditje e madhe të shohësh njerëz të ndalohen për një kohë të pacaktuar në vendin që duhet t’i mirëpresë ata”, I tha gazetës “The New York Times”, një nga avokatët, Mark Doss.

Zyrtarët në aeroportin e Kajros në Egjip thanë se një familje irakiane nuk ishte lejuar të hipte në një avion që shkonte në Nju Jork, për shkak të rregullave të tjera.

Kur urdhri për fluturimet u dërgua në aeroportin Kennedy në Nju Jork, zyrtarët e atjeshëm, reaguan me udhëzimin që familja e përbërë nga burri, gruaja dhe dy fëmijë të mos lejohej të hipte në avionin e EgyptAir.

Agjencia e fluturimit Qatar Airways u tha klientëve nga shtatë vendet se do t’u duhej ose një kartë e gjelbër, ose një vizë diplomatike që të mund të hipin në një avion të destinuar për në Shtetet e Bashkuara

Zëri i Amerikës kontaktoi Departamentin e Shtetit për të pyetur se çfarë udhëzimesh po nxjerr kjo agjenci për refugjatët që janë aktualisht në tranzit gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara , apo për ata që kanë karta të gjelbra, që për momentin janë jashtë vendit.

Një zëdhënës u përgjigj duke thënë se Departamenti i Shtetit po punon për ta vënë në zbatim urdhrin ekzekutiv dhe se “siguria e popullit amerikan, është gjithmonë primare”.

“Ne e marrim seriozisht përgjegjësinë për mbrojtjen e publikut amerikan, ndërsa mbetemi të angazhuar që të ndihmojmë njerëzit më të dobët të botës”, tha zëdhënësi We take seriously our responsibility to safeguard the American public while remaining Mark Toner.

Një zëdhënëse e Departmentit për Sigurinë Kombëtare i tha agjencisë Reuters se edhe ata që kanë karta të gjelbra, do të përfshihen tek urdhri i ndalimit.

Përveç ndalimit për 90 ditë të banorëve nga Iraku, Siria, Irani, Sudani, Libia, Somalia dhe Jemeni për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump parashikon një ndalim të përhershëm të refugjatëve sirianë dhe një ndalim në fuqi për 120 ditë për të gjithë refugjatët që duan të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Trump urdhëroi pezullimin e emigrimit nga vendet myslimane

Donald Trump gjatë qëndrimit të tij të mbrëmshëm në Pentagon

Presidenti amerikan Donald Trump, ka urdhëruar ndaljen e pakufizuar të hyrjes së refugjatëve sirianë në Shtetet e Bashkuara dhe pezullimin e vizitave nga disa vende të tjera myslimane.

Zoti Trump mbrëmë vonë ka urdhëruar suspendimin e emigrimit nga shtatë vende me popullatë shumicë myslimane për 90 ditë, derisa të implementohet procesi “ekstrem i shqyrtimit”.

Në urdhërat e tij nuk është specifikuar se cilat vende do të preken, por agjencitë AP dhe Reuters raportuan se në këto masa me gjasë do të përfshihen Irani, Iraku, Somalia, Sudani dhe Jemeni.

Zoti Trump, po ashtu, ka urdhëruar pezullimin katërmujor të programit amerikan për refugjatë për Irakun, Afganistanin dhe Pakistanin.

Ai e ka përcaktuar numrin prej 50 mijë refugjatëve nga e gjithë bota që Shtetet e Bashkuara do t’i pranojnë këtë vit.

Një përjashtim madhor për ndalesën e refugjatëve është bërë për të krishterët sirianë, për të cilët Trump tha se janë të shtypur në vendin e tyre.

“Po krijoj masa të reja të vërtetimit, që terroristët radikal islamikë të mbahen jashtë Shteteve të Bashkuara”, tha Trump derisa i ka paraqitur urdhërat e tij në Pentagon, dhe ka shtuar se “nuk i duam ata këtu”.

“Ne vetëm dëshirojmë që në vendin tonë t’i pranojmë ata që do ta mbështesin vendin tonë dhe do ta duan thellësisht popullin tonë”, tha Trump.

Trumpi ndalon pranimin e refugjatëve nga Siria

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për dekretin presidencial “i cili kufizon pranimin e refugjatëve në vend dhe i cili sjell procedura të rrepta të sigurisë për vizat e emigrantëve”

UASHINGTON – Me një dekret presidencial të nënshkruar ditën e djeshme nga presidenti amerikan Donald Trump u ndalua pranimi i refugjatëve sirianë deri në një urdhër të dytë, si dhe u pezulluan për 4 muaj aplikimet e të gjithë refugjatëve.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për dekretin presidencial “i cili kufizon pranimin e refugjatëve në vend dhe i cili sjell procedura të rrepta të sigurisë për vizat e emigrantëve”, dekret ky i cili ka shkaktuar debate prej kohësh në opinionin publik në SHBA.

Dekreti presidencial “mbrojtja e vendit nga hyrja e terroristëve të huaj në SHBA” të cilën Trump e nënshkroi ditën e djeshme gjatë vizitës në Pentagon ndalon pranimin e refugjatëve nga Siria deri në një urdhër të dytë.

Ky dekret sjell në vëmendje situatën e refugjatëve sirianë të cilët vazhdojnë procedurat e vizave ose që janë duke hyrë në vend.

Për 4 muaj nuk ka pranim të refugjatëve

Ndërsa bëhet e ditur se është pezulluar për 120 ditë “programi i pranimit të refugjatëve” i realizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pas përfundimit të afatit të caktuar do të fillojë pranimi i refugjatëve nga vendet për të cilat do të merret një miratim i përbashkët vetëm nga Departamenti për Çështjet e Brendshme, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga drejtori i shërbimeve inteligjente.

Ndërsa edhe numri i refugjatëve që do të pranohen në Shtetet e Bashkuara në vitin fiskal 2017 është reduktuar nga 110 mijë në 50 mijë.

Në kuadër të të njëjtit dekret theksohet se në SHBA nuk do të pranohen për 30 ditë me radhë ato që vijnë nga vendet të cilat “Mendohet të jenë të lidhura me terrorizmin”, ku dhe brenda kësaj kohe do të merren edhe masa shtesë. Teksa në tekst nuk përmenden drejtpërdrejt emrat e shteteve theksohet se këto vende do të jenë Iraku, Libia, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.

Një tjetër pikë që tërheq vëmendjen në tekst është se ata që nuk janë emigrantë në SHBA në aplikimin për vizë do të duhet që të gjithë një e nga një të marrin pjesë në intervistë. Në mesin e temave që ka ngjallur kuriozitet është nëse gjatë intervistës së detyruar do të pyeten apo jo për besimin fetar personat që do të aplikojnë për vizë.

Donald Trump në një intervistë të dhënë ditën e djeshme në kanalin Christian Broadcasting Network (CBN) në përgjigje të një pyetjeje ishte shprehur se “do t’iu japë përparësi refugjatëve të krishterë që vijnë nga Lindja e Mesme”.

Njoftohet se në dekretin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë e përfshirë pika për “krijimin e zonave të sigurta në Siri”, që ka qenë e përfshirë në projekt dekretin e prezantuar më parë për opinionin publik. Në lidhje me këtë temë presidenti Trump në intervistën e tij të parë për televizionin ABC ishte shprehur se “Patjetër që në Siri do të krijoj zona të sigurta për popullin e Sirisë. Për mendimin tim Evropa ka bërë një gabim të madh që ka pranuar miliona njerëz në Gjermani dhe në vendet e tjera.”AA

Trump-May rikonfirmojnë lidhjet e forta mes SHBA dhe Britanisë

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kanë rikonfirmuar marrëdhënien mes dy vendeve të tyre në takimin e parë të Presidentit amerikan Donald Trump me një udhëheqës të huaj. Takimi i Kryeministres britanike May me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë po trumpetohet nga qeveria britanike si sinjal se administrata e re e vlerëson “marrëdhënien speciale” trans-atlantike.

Pas takimit, dy udhëheqësit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Presidenti Donald Trump nënvizoi marrëdhënien e veçantë që kanë Shtetet e Bashkuara me Britaninë dhe u zotua ta mbështesë këtë marrëdhënie. Ai gjithashtu përshëndeti vendimin e votuesve britanikë për të dalë nga BE, duke thënë se respekton të drejtën e britanikëve për vetëvendosje.

“Sot Shtetet e Bashkuara rigjallërojnë marrëdhënien e thellë me Britaninë- një marrëdhënie ushtarake, financiare, kulturore dhe politike. Dy vendet tona kanë një ndër marrëdhëniet më të forta. Zotohemi t’i japim një mbështetje të vazhdueshme kësaj marrëdhënieje të veçantë. Së bashku, Amerika dhe Britania janë një shembull për begati dhe sundimin e ligjit. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara respektojnë sovranitetin e popullit britanik dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje,” tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kryeministrja britanike Theresa May tha se në takimin me zotin Trump kishin diskutuar tregtinë dypalëshe, NATO-n dhe luftën kundër ISIS.

“Lidhur me bashkëpunimin në drejtim të mbrojtjes dhe sigurisë, ne jemi të bashkuar në nocionin se NATO është arma kryesore e mbrojtjes sonë të përbashkët dhe sot ne kemi riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj kësaj Aleance. Zoti President, me duket më thatë se jeni 100% në mbështetje të NATO-s. Por ne po diskutojmë gjithashtu edhe rëndësinë e NATO-s, që të garantohemi që është në gjendje për të luftuar terrorizmin dhe për të zhvilluar luftë kibernetike me të njëjtën aftësi që zhvillon luftë konvencionale,” tha zonja May.

Kryeministrja britanike tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump mbi hapat për të arritur një marrëveshje dypalëshe tregtare SHBA-Britani.

Trump: Herët të diskutohet heqja e sanksioneve kundër Rusisë

Uashington, 27 janar 2017.

 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është shumë herët të diskutohet mundësia e heqjes së sanksioneve kundër Rusisë, porse shpreson të ketë “marrëdhënie të mira me Rusinë”.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë së bashku me kryeministren britanike, Theresa May.

May është udhëheqësja e parë botërore që takoi Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, pas inaugurimit të tij, javën e kaluar.

“Sa u përket sanksioneve, është shumë herët të flitet për to”, tha Trump.

Më herët, këshilltarja e lartë Trumpit, Kellyanne Conway, tha për Fox News se heqja e sanksioneve amerikane kundër Rusisë është “në konsiderim e sipër”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Rusinë, pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishillin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe ka ndërhyrë në konfliktin në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump do të bisedojë përmes telefonit me presidentin rus, Vladimir Putin, më 28 janar.

Heqja e sanksioneve amerikane kundër Rusisë “në konsiderim e sipër”

Kellyanne Conway, këshilltare e lartë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Një këshilltare e lartë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se heqja e sanksioneve amerikane kundër Rusisë është “në konsiderim e sipër”.

Kellyanne Conway i bëri këto komente në Fox News, pasi u pyet për një telefonatë të planifikuar midis Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar Rusinë, pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishillin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe ka ndërhyrë në konfliktin në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmiar se Trump dhe Putin do të bisedojnë më 28 janar dhe ka thënë se presidenti amerikan do të bisedojë edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin francez, Francois Hollande.

Urdhër i ri ekzekutiv kundër refugjatëve thuhet se po shqyrtohet nga Presidenti Trump

Ndërsa Presidenti Donald Trump nënshkroi këtë javë një seri urdhërash ekzekutivë që synojnë forcimin e zbatimit të ligjeve për emigracionin, në media po qarkullon teksti i një urdhëri tjetër ekzekutiv, që sipas shtypit, Presidenti Trump po e shqyrton për ta miratuar dhe që do të kishte ndikim tek të huajt.

Urdhëri presidencial në fjalë, do të kufizonte programin e refugjatëve dhe do të ndalonte hyrjen në SHBA të shtetasve nga shtatë vende.

Ndonëse nuk është e qartë nëse ky urdhër do të nënshkruhet në këtë formë, pjesa më e madhe e ndryshimeve të parashikuara, janë në përputhje me retorikën elektorale dhe pozicionet e mbajtura nga zoti Trump.

Këto ndryshme do të ndikojnë tek emigrantët, vizitorët dhe refugjatët nga vende me shumicë myslimane, duke synuar, siç thuhet në titullin e dokumentit, “Mbrojtjen e Vendit [SHBA] nga Sulme Terroriste të Shtetasve të Huaj”.

Presidenti Trump u pyet rreth këtyre raportimeve në media gjatë një interviste të mërkurën me kanalin ABC News. Ai nuk konfirmoi detaje, por tha se masat synojnë përmirësimin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

“Vendi ka mjaft probleme edhe pa i lejuar këta njerëz të hyjnë, të cilët shpesh vijnë me plane për të na shkaktuar dëme të mëdha”.

Madeleine Albright akuzon për paragjykime

Gjatë një bisede dje me gazetarë dhe anëtarë të një komuniteti refugjatësh, ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, tha se ky urdhër do të ishte “një nga gjërat më të këqija që kanë ndodhur prej një periudhe shumë të gjatë për vlerat e Shtetet e Bashkuara”, dhe shtoi se “nuk ka asnjë dyshim se ky urdhër paragjykon myslimanët”.

Një version i draftit, botuar në internet nga gazeta LA Times, përmbledh synimet e urdhërit që mund të nënshkruhet brenda kësaj jave:

  • Të pezullojë për 30 ditë emigracionin dhe udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, të shtetasve të Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit.
  • Të ndalojë për 120 ditë pranimin e refugjatëve, duke lejuar përjashtime për refugjatët anëtarë të pakicave fetare në vendet e tyre.
  • Të ulë tavanin e kuotës për refugjatët për këtë vit fiskal, nga 110 mijë, në 50 mijë.
  • Ndalimin pa afat për refugjatët sirianë.
  • Krijimin e “zonave të sigurta” në Siri dhe në rajon për të zhvendosurit dhe refugjatët.
  • Zbatimin e sistemit të të dhënave biometrike të udhëtarëve në hyrje dhe në dalje nga SHBA-ja.
  • Pezullimin e Programit të Heqjes së Vizave dhe detyrimin për intervistim të çdo aplikanti për viza.
  • Detyrimin e Departamentit të Sigurisë për botimin e një raporti çdo 6 muaj mbi “individët e lindur jashtë vendit” të cilët janë “radikalizuar”, kanë kryer akte dhune gjinore, ose janë akuzuar apo dënuar për akte të lidhura me terrorizmin.

E paqartë periudha kohore

Nuk është e qartë se si dhe kur do të zbatohen këto politika. Agjensitë e refugjatëve në SHBA patën shtuar personelin, bazuar tek kuota e refugjatëve e përcaktuar nga administrata Obama në muajin shtator. Punonjësit që merren me refugjatët që tashmë kanë mbërritur në SHBA, thonë se ata janë të shqetësuar se nuk do të pranohen të vijnë familjarët e tyre.

Rreth 32 mijë refugjatë kanë mbërritur që nga fillimi i vitit fiskal, më 1 tetor.

Lavinia Limon, kryetare e Komitetit të SHBA-së për Refugjatët dhe Emigrantët, tha se gjatë dekadave të punës me çështjet e refugjatëve, ka parë shumë gjëra të pakuptimta që kanë kaluar.

“Mendoj se me kohë, edhe kjo do të kalojë, por ndërkohë, është demoralizuese”, tha ajo.

Trumpi për financimin e murit: 20 për qind tatim për importet nga Meksika

Trumpi të mërkurën nënshkroi një dekret me të cilin aprovohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-ve dhe Meksikës. “Këtë e kemi thënë që nga fillimi”, tha ai teksa nënshkroi dekretin

NEW YORK – Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, deklaroi të enjten se presidenti amerikan Donald Trump ka një plan të ri për financimin e murit në kufi me Meksikën.

Presidenti i Meksikës, Enrique Peno Nieto tha se vendi i tij nuk do të paguajë për ndërtimin e murit në kufi me SHBA-të, për çka Trumpi u kundërpërgjigj me idenë për të aplikuar një tatim prej 20 për qind për importet nga Meksika në kuadër të reformave tatimore.

Spicer u tha gazetarëve se reforma gjithëpërfshirëse në të cilën Trumpi planifikon të përfshijë tatimet nga importi, përfshin edhe ato nga Meksika.

“Në këtë mënyrë, në nivel vjetor do të mund të tubojmë 10 miliardë dollarë me të cilat me lehtësi do të mund të paguajmë murin vetëm përmes këtij mekanizmi. Kjo vërtetë do të sigurojë mjetet e duhura”, tha Spicer.

Në bazë të të dhënave zyrtare, në vitin 2015 Meksika ka eksportuar në SHBA mall në vlerë prej 316.4 miliardë dollarë.

Deficiti tregtar është vlerësuar në 50 miliardë dollarë. Zbatimi i tatimit më të lartë do të mund të shkaktojë rritjen e çmimeve të prodhimeve meksikane, ndërkohë që zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë shmangu pyetjet për ndikimin e tatimit të paralajmëruar mbi konsumatorët amerikanë.

Meksika reagon për planin e Trumpit rreth financimit të murit

Ministri meksikan i Punëve të Jashtme, Luis Videgaray, në një deklaratë theksoi se tatimi në fjalë do të shkaktojë që prodhimet e importuara nga Meksika do të arrijnë me çmime më të shtrenjta tek konsumatorët amerikanë dhe kjo do të rezultojë që të jenë dakord për të paguar murin.

“Aplikimi i tatimit në prodhimet tona, nuk e siguron pagesën për murin, por kjo sjell që konsumatorët të Amerikës Veriore ta paguajnë me shitjen e avokados, lavatriçes, televizorit me çmime të shtrenjta”, tha Videgaray, duke njoftuar se çështja që meksikanët ta paguajnë murin nuk mund të negociohet.

Kujtojmë se Trumpi të mërkurën nënshkroi një dekret me të cilin aprovohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-ve dhe Meksikës. “Këtë e kemi thënë që nga fillimi”, tha ai teksa nënshkroi dekretin.

Ndërkohë, shefi i stafit të Trumpit, Reince Preibus, kishte treguar se plani është një ndër disa alternativat për të cilët janë duke punuar.

Pasi Trumpi kishte nënshkruar dekretin e nevojshëm për zbatimin e projektit për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën, kishin filluar diskutime rreth asaj se kush do të paguaj murin i cili mund të kushtoj 25 miliardë dollarë.

Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto kishte theksuar se nuk do ti paguajnë shpenzimet e murit, ndërsa Trump kishte njoftuar se mund ta anulojë takimin e tij me Pena Nieto në fund të muajit. Pas kësaj Pena Nieto njoftoi për anulimin e vizitës në SHBA. aa

Mattis telefonon ministrat gjerman, francez dhe iu ofron garanci për NATO-n

Sekretari amerikan i mbrojtjes, James Matti

Sekretari i mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Jim Mattis, i ka siguruar homologët nga Gjermania dhe Franca se SHBA-ja ka “përkushtim të vazhdueshëm” ndaj NATO-s gjatë një bisede telefonike të zhvilluar më 26 janar, njofton Pentagoni.

Ministrja gjermane e mbrojtjes Ursula von der Leyen, dhe ministri francez i mbrojtjes, Jean Yves Le Drian, janë aleatët e tretë dhe të katërt evropian që Mattis i ka thirrë në telefon për t’i siguruar për këtë përkushtim prejse është konfirmuar në postin e tij, javën e kaluar.

Aleatët afatgjatë janë tronditur nga kritikat e ashpra të presidentit amerikan Trump ndaj aleancës ushtarake duke e quajtur atë “të vjetëruar” dhe duke sygjeruar se SHBA-ja ndoshta nuk do të mbrojë aleatët që nuk e kryejnë investimin e paraparë me rregulla të NATO-s në mbrojtjen ushtarake.

Trump disa herë e ka thënë se shumica e anëtarëve të NATO-s nuk e arrijnë shpenzimin e 2 % të bruto prodhimit vendor për ushtrinë sipas cakut të vendosur nga NATO, duke nxitur vende anëtare si Gjermania, Rumania dhe të tjera të marrin në konsideratë rritjen e buxheteve për mbrojtje gjatë këtij viti.

Duke siguruar aleatët, Pentagoni thotë se Mattis ka falenderuar von der Leyen për lidershipin gjerman në aktivitetet e NATO-s në vendet baltike dhe në Afganistan ndërsa e ka përmendur rolin që Gjermania e ka luajtur në luftën kundër grupit Shteti Islamik në Irak.

Gjermania ka në territorin e saj një personel ushtarak amerikan të përbërë nga 35 mijë persona, prania më e madhe ushtarake amerikane në Evropë.

Christiane Amanpour: “Në ç’vend po jetojmë kështu?”

Voal – Pas deklaratës të shefit të strategjisë së Donald Trump, Stephen K. Bannon, që iu kërkon mediave të “mbyllin gojën”, kanë reaguar menjëherë të alarmuar gazetarët, sikur shkruan gazeta The New York Times. Midis tyre një nga ikonat e gazetarisë amerikane, truthteller-ja Christiane Amanpour, shefja e CNN për Korrespondetëve Ndërkombëtarë dhe drejtuesja e emisionit të natës të CNN për çështjet globale, e cila komentoi në Twitter: “Në ç’vend po jetojmë kështu?”

 

Trump në Filadelfia, rendit aspiratat kryesore politike

Presidenti i SHBA Donald Trump bëri të enjten udhëtimin e tij të parë me avionin presidencial Air Force One duke shkuar në Filadelfia për një takim me Kryeministren britanike Theresa May dhe për të marrë pjesë në një konferencë të anëtarëve republikanë të Kongresit.

Zoti Trump, i cili më parë udhëtonte me avionin e tij privat, u prit në Filadelfia nga një numër i vogël protestuesish përpara ndërtesës ku republikanët po mbanin konferencën.

Menjëherë pas mbërritjes, zoti Trump mbajti një fjalim në të cilin kujtoi fitoren e tij befasuese në zgjedhje në shtetin e Pensilvanisë. Ai tha se fitorja në këtë shtet ishte diçka e këndshme, duke e quajtur Pensilvaninë shtetin që “u kishte shpëtuar” republikanëve në zgjedhjet e mëparshme.

Presidenti renditi pastaj aspiratat e tij kryesore poltike, duke përfshirë planin për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të SHBA si dhe një hetim rreth dyshimeve për mashtrim në votimet e vitit 2016.

“Ne do të mbrojmë integritetin e kutive të votimit, do të mbrojnë votat e qytetarit amerikan. Kjo është shumë e rëndësishme,” tha ai.

Zoti Trump tha se ai dhe presidenti meksikan Enrique Pena Nieto kanë rënë të dy dakord për të anuluar një takim të planifikuar për javën e ardhshme, pasi presidenti meksikan përsëriti se vendi i tij nuk do të paguajë për murin.

“Nëse Meksika nuk i trajton Shtetet e Bashkuara në mënyrë të drejtë dhe me respekt, një takim i tillë do të ishte i kotë. Unë dua të ndjek një rrugë të ndryshme, nuk kam asnjë alternativë tjetër”, tha zoti Trump.

Republikanët janë mbledhur për një konferencë tre-ditore, ku do të planifikojnë axhendën legjislative për vitet e ardhshme, në të cilën do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, krahas Shtëpisë së Bardhë.

Zoti Trump po u paraqet ligjvënësve ato që ai dëshiron të arrijë në çështje si emigracioni dhe kujdesi shëndetësor. Ai mund të përpiqet t’i nxisë republikanët të mbështesin idetë e tij shumë të debatueshme, si ndërtimi i murit apo ngadalësimi i imigracionit.

Duke folur për gazetarët të enjten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha se Presidenti Trump nuk ka vendosur ende nëse do të shkurtojë fondet për organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Disa njoftime në media lënë të kuptohet se presidenti po përpiqet për të zvogëluar rolin e SHBA në këto organizata.

Shefi i strategjisë së Donald Trump iu kërkon mediave të “mbyllin gojën”

Shefi i strategjisë së Donald Trump iu kërkon mediave të “mbyllin gojën”- Trump Strategist Stephen Bannon Says Media Should ‘Keep Its Mouth Shut’.

Vetëm disa ditë pasi Donald Trump foli për një “luftë të vazhdueshme” me median, shefi i strategjisë për Shtëpinë e Bardë, Stephen K. Bannon, i përshkallëzoi sulmet, duke argumentuar se organizatat mediatike u “poshtëruan” nga rezultati i zgjedhjeve, ndërsa e pershkroi vazhdimisht median si “palën opozitare” të administratës aktuale.

“Media duhet të ndihet e turpëruar dhe e poshtëruar dhe ta mbajë gojën mbyllur e të dëgjojë për një çast,” tha Z. Bannon në një intervistë ditën e mërkurë.

Përcaktimi i ashpër, i bërë nga një prej këshilltarëve më të besuar dhe me më tepër ndikim tek presidenti Trump gjatë ditëve të para të presidencës së tij, vjen në një moment tensioni ndërmjet medias së lajmeve dhe administratës, me përplasje në lidhje me përmasat e ndjekësve të inaugurimit të Z. Trump dhe pretendimeve false të presidentit, se miliona vota ilegale nga emigrantë të padokumentuar, kthyen votën popullore kundër tij.

Z. Bannon, ndërkohë është një nga forcat më të mëdha të një administrate, me qendra pushteti tepër konkurruese. Manipulues i zgjuar i shtypit dhe një provokator krenar, ai ishte ndër të pakëtit këshilltarë të Trump, që thuhet se e nxiti Z. Spicer në atë deklaratë të fortë dhe emocionale përballë gazetarëve në “Krahun Perëndimor,” të shtunën, kur Shtëpia e Bardhë kundërshtoi raportet e lajmeve mbi numrin e pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit.

I pyetur në telefon nga “New York Times,” nëse ishte i shqetësuar se Spicer kishte humbur besueshmërinë përballë medias, Bannon e mohoi këtë. “Po talleni?” tha ai. “Ne mendojmë që ishte një medalje nderi… Media nuk ka kurrfarë integriteti, zero inteligjencë dhe aspak punë.”

“Ju jeni partia opozitare,” tha ai. “Jo Partia Demokratike. Ju jeni opozitarët. Media është partia opozitare.”

Por, gazetarët reaguan të alarmuar ndaj deklaratave të tj. Christiane Amanpour, korrespondente e CNN, komentoi në Twitter: “Në ç’vend po jetojmë kështu?”

“Ne nuk jemi opozita,” u shpreh Stephen Engelberg, kryeredaktor i organizatës jofitimprurëse të lajmeve, “Pro Publica.”

“Ne jemi pjesë e një funksioni thelbësor të çdo demokracie.”

Bannon iu referua kryesisht “elitës” së mediave, por ai citoi “The New York Times” dhe “The Washington Post,” me emra.

“Gazeta historike e republikës sonë të dashur, ‘New York Times,’ duhet të ndihet absolutisht e turpëruar dhe e poshtëruar,” tha Z. Bannon.
“Ata u gabuan 100 përqind.” /Bjorn Runa

Marrë nga “New York Times”

Drejtues kryesorë në DASH japin dorëheqjen

Katër diplomatë amerikanë që përbëjnë pjesën kryesore të ekipit të lartë drejtues në Departamentin amerikan të Shtetit dhanë papritur dorëheqjen, vetëm disa ditë para se kandidati i presidentit Donald Trump për postin e Sekretarit të Shtetit të marrë konfirmimin në Senat.

Largimi i nënsekretarit të Shtetit për Menaxhimin Patrick Kennedy të premten ishte njoftuar më parë. Sipas gazetës Washington Post, Kennedy kishte kërkuar të vazhdonte punën nën drejtimin e sekretarit të ardhshëm të Shtetit, për menaxhimin e buxhetit dhe logjistikës së Departamentit të Shtetit.

Gazeta Washington Post dhe agjencia Associated Press njoftuan se dy ndihmës sekretarë të tjerë dhanë gjithashtu dorëheqjen të mërkurën. Ndihmës Sekretarja për Administrimin Joyce Barr dhe Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Marrëdhëniet Konsullore Michele Bond, së bashku me ambasadorin Gentry Smith, drejtor i Zyrës për Misionet e Huaja, janë diplomatë karriere.

Dorëheqjen e dha edhe Victoria Nuland, ndihmës Sekretare e Shtetit për Marrëdhëniet me Evropën dhe Euroazinë.

Duke konfrimuar largimin, Mark Toner, zëdhënësi në detyrë i Departamentit të Shtetit, tha në një deklaratë se këto pozicione janë emërime politike, që kërkojnë emërimin nga presidenti dhe konfirmimin nga Senatit.

Trumpi dëshiron rikthimin e torturës me mbytje në ujë

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ai mendon që teknika e torturës me mbytjen në ujë të të arrestuarve në përgjithësi shihet si një torturë që “absolutisht” funksionon, ndonëse për rikthimin e kësaj metode ai ka thënë se do ia lë shefave të CIA-s dhe Pentagonit të vendosin.

Në një intervistë dhënë televizionit “ABC News”, e transmetuar më 25 janar, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të “luftojnë zjarrin me zjarr” derisa amerikanëve iu hiqen kokat dhe krime të tjera që kryhen nga militantët e Shtetit Islamik.

“Kur ata iu këpusin kokat njerëzve tanë, dhe të tjerëve… kur (IS) bënë gjëra që askush nuk i ka dëgjuar prej mesjetës, a do të duhej të mendojë në të mirë të tortures me mbytje në ujë? Për aq sa më takon mua, ne duhet ta luftojmë zjarrin me zjarr”, ka thënë ai.

Por, ai megjithatë ka thënë se do të mbështetet në këshillat e shefit të Pentagonit, James Mattis dhe Drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, Mike Pomeo.

“Nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë, në rregull. Nëse duan ta kthejnë, atëherë do të punojë në atë drejtim”, ka thënë presidenti Trump.

“Po, a ma merr mendja se funksionon? Absolutisht, unë mendoj se po”, ka thënë ai.

Në muajin nëntor, pas takimit me Mattis, Trumpi iu ka thënë mediave se në përgjithësi ai i ka thënë që tortura me mbytjen në ujë nuk është efektive.

Hillary Clinton e nis me një show televiziv të saj dhe pastaj do të rikandidojë për Presidente në SHBA

Hillary Clinton synon të rikandidojë për Presidente në SHBA

Hillary Clinton, e cila u mposht në zgjedhjet kundër Donald Trump,  duket se nuk është dorëzuar në luftën e saj për tu bërë presidente e Amerikës.

Gjatë një takimi, ku ish zonja e parë amerikane i ftoi miqtë e saj në shtëpinë në Uashington ajo u shpreh me vendosmëri për një rikthim në luftën për postin e presidentes së Amerikës, shkruan The Indipendent.

“Unë do të rikthehem”, citohet të ketë thënë Clinton duke bërë dolli me gotën e verës.

Nëse Clinton vendos të sfidojë përsëri rivalët e partive tjera për postin e presidentit, ajo në vitin 2020 do të ishte në moshën 73 vjeçare.

Ajo gjithashtu ka paralajmëruar se shumë shpejt mund të shfaqet para ekraneve televizive me një shou, dhe kështu do të jetë femra e dytë në Amerikë më vjetra që do të ketë një emision të vetin pas, Joy Behar e njohur për shoun “The View”.

Dow Jones thyen rekord, kalon shifrën 20 mijë

Treguesi i bursës së Nju Jorkut Dow Jones kaloi për herë të parë shifrën 20,000 në shkëmbimet e së mërkurës.

Dow Jones është treguesi më i njohur i tregut të aksioneve. Premtimet e presidentit të ri Donald Trump për të shkurtuar rregulloret dhe për të ulur taksat mund të kenë shërbyer si inkurajim për investitorët. Bizneset shpesh ankohen se taksat dhe rregulloret e shumta ua bëjnë më të vështirë fitimet.

Disa analistë thonë se politikat e zotit Trump mund të rrisin inflacionin dhe normat e interesit, të cilat mund t’i bëjnë bankat më fitimprurëse. Kjo mund të jetë arsyeja se përse firmat e mëdha financiare si Goldman Sachs dhe JPMorgan kanë arritur fitime të mëdha kohët e fundit.

Sipas një raporti të ri, numri i falimentimeve ka rënë përsëri në nivelet e para krizës financiare. Gjykatat federale amerikane thonë se në vitin 2016 janë paraqitur më pak se 800 mijë raste falimentimesh, një rënie prej gati gjashtë për qind nga viti paraardhës dhe niveli më i ulët që nga viti 2006.

Trumpi urdhër ekzekutiv për ndërtimin e murit me Meksikën

 

Presidenti i SHBA Donald Trump urdhëroi të mërkurën ndërtimin menjëherë të një muri përgjatë kufirit jugor të vendit me Meksikën, për të penguar emigracionin e paligjshëm. Ai u zotua në të njëjtën kohë të përballet me qindra qytete amerikane që kanë refuzuar të ndihmojnë autoritetet federale të identifikojnë dhe deportojnë emigrantët pa dokumenta.

Presidenti i ri i nënshkroi urdhërat ekzekutive për emigracionin para se të fliste në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, agjencia federale e ngarkuar me mbrojtjen e kufirit. “Një shtet pa kufij nuk është shtet,” tha zoti Trump përpara punonjësve të agjencisë.

Urdhërat ekzekutivë do të shërbejnë për të ritheksuar një nga temat kryesore që i dhanë zotit Trump një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, pohimin e tij se emigrantët e paligjshëm kërcënojnë sigurinë e vendit dhe u kushtojnë punëtorëve amerikanë vendet e punës. Gjatë mitingjeve të shumta të fushatës, mbështetësit e tij thërrisnin vazhdimisht “Të ndërtojmë murin!”.

FILE - Illegal immigrant Layios Roberto waits outside the offices of Coalition for Humane Immigrant Rights in Los Angeles, Aug. 15, 2012.

FILE – Illegal immigrant Layios Roberto waits outside the offices of Coalition for Humane Immigrant Rights in Los Angeles, Aug. 15, 2012.

Presidenti Trump tha se ndërtimi i murit do të fillojë brenda disa muajsh. Ai ka theksuar përsëri se për murin do të paguajë Meksika, edhe pse ajo vazhdimisht ka refuzuar. Zoti Trump ka theksuar se pagesa ndoshta do të jetë në një formë “të komplikuar”, duke sinjalizuar se nuk është fjala për një pagesë të drejtpërdrejtë nga Qyteti i Meksikos në Uashington.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha të mërkurën se SHBA do të ndërtojnë objekte paraburgimi përgjatë kufirit për të strehuar emigrantët që hyjnë në vend, të cilëve do t’u jepet një “biletë për t’u kthyer në vendin e origjinës.”

Ai tha se administrata Trump do t’i japë fundit programit “kap dhe lësho” për emigrantët, të cilin ai e quajti të rrezikshëm.

Zyrtarët thonë se zoti Trump po shqyrton gjithashtu një ngrirje prej katër muajsh për të gjitha pranimet e refugjatëve në SHBA si dhe një ndalim për të paktën 30 ditë për hyrjen në Shtetet e Bashkuara të çdo personi nga Iraku, Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, vende me shumicë myslimane.

Këtu mund të përjashtohen njerëzit që përballen me përndjekje fetare në vendin e tyre.

FILE - U.S. Customs and Border Patrol agent passes along a section of border wall in Hidalgo, Texas.

FILE – U.S. Customs and Border Patrol agent passes along a section of border wall in Hidalgo, Texas.

Siguria Kombëtare

Zoti Trump shpesh kritikonte gjatë fushatës pranimet e refugjatëve në vend, duke thënë: “Ne nuk kemi asnjë ide se kush janë këta njerëz.” Ai fillimisht propozoi një ndalim për të pranuar persona nga vendet muslimane, duke u bërë objekt kritikash të ashpra. Më vonë ai e ndryshoi qëndrimin, duke përfshirë në këtë kagori vetëm vende të lidhura me terrorizmin.

Presidenti i ri kërkon ndërtimin e një muri përgjatë gjithë gjatësisë prej 3,200 kilometrash të kufirit SHBA-Meksikë. Aktualisht ekziston një barrierë vetëm në një pjesë të kufirit, e cila patrullohet me automjete, dhe monitorohet me avionë pa pilot, me kamera me rreze infra të kuqe si dhe me mjete të tjera.

Zoti Trump thotë se Kongresi fillimisht do të autorizojë qeverinë të përballëjë koston e murit prej rreth 10 miliardë ose më shumë dollarë, ndërsa pastaj kjo të rimbursohet nga qeveria meksikane.

Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për të diskutuar çështjet e sigurisë kufitare dhe të tregtisë midis dy vendeve fqinje.

Zoti Trump ka thënë se ndërtimi i murit do të jetë diçka e lehtë, edhe pse të tjerë nuk janë aq të sigurt për këtë, për shkak të terrenit të thyer përgjatë kufirit.

Pamela Taylor, whose home is on the south side of the border fence, stands near a sign she erected, in Brownsville, Texas.

Pamela Taylor, whose home is on the south side of the border fence, stands near a sign she erected, in Brownsville, Texas.

Ndërkohë, administrata e re po përpiqet të vendosë se si do të veprojë me urdhrin e ish presidentit Barack Obama, që lejon fëmijët e imigrantëve të cilët kanë hyrë ilegalisht në SHBA bashkë me prindërit, të qëndrojnë në vend dy vjet pa u deportuar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Spicer tha se zyrtarët e administratës së re do t’i shqyrtojnë rastet e fëmijëve pa dokumente në mënyrë humane.

Gjatë fushatës, zoti Trump deklaroi se të gjithë ata që kishin hyrë në SHBA ilegalisht do të ishin objekt deportimi, por më vonë ai e zbuti qëndrimin, duke thënë se fillimisht vetëm personat me të kaluar kriminale do të deportoheshin, ndërsa ata që zbatonin ligjin do të shqyrtoheshin më vonë.

Trumpi kërkon hetim për manipulim votash në zgjedhje

Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për hetim në shkallë të gjerë lidhur me atë që ai e quan manipulim votash në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai ritheksoi bindjen se votat e miliona emigrantëve pa dokumente i kushtuan atij fitoren në votën popullore.

Zoti Trump i njoftoi planet për hetime sot në mëngjes në Twitter.

Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u përsëriti gazetarëve pretendimin se 3 deri në 5 milionë emigrantë votuan në mënyrë të paligjshme për rivalen demokrate Hillary Clinton, pohim që zoti Trump e përmendi gjatë një takimi të hënën me udhëheqësit e Kongresit.

“Kjo është një bindje që ai ka,” tha zoti Spicer. I pyetur nga gazetarët se çfarë prova ka presidenti për një pohim të tillë, zëdhënësi tha se zoti Trump “ka kohë që e beson këtë, bazuar në studimet dhe informacionet që ka.”

Por, zyrtarët e zgjedhjeve që kanë analizuar votimet e 8 nëntorit thonë se nuk ka pasur pothuajse asnjë shenjë për manipulim votash, aq më pak në atë shkallë për të cilën flet zoti Trump.

Disa gazetarë në koferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë e pyetën zëdhënësin se përse administrata nuk ndërmerr një hetim, në qoftë se presidenti beson se ka pasur mashtrime në shkallë të gjerë.

Zoti Spicer tha se presidenti Trump është i bindur në fitoren e tij në Kolegjin Elektoral dhe synon të përqëndrohet në përmbushjen e premtimeve të fushatës. Ai shtoi se një hetim i mëtejshëm është i mundur.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u tha gazetarëve se ai nuk ka parë ndonjë provë manipulimesh me votën në zgjedhjet e 2016-s. Ndërkohë, udhëheqësi republikan i shumicës në Senat Mitch McConnell tha se mashtrime me votën edhe ndodhin. “Ka gjithmonë argumente nga të dyja palët lidhur me përmasat dhe shpeshtësinë me të cilën ato ndodhin,” u tha ai gazetarëve.

Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një prej kandidatëve republikanë që u mund nga zoti Trump në zgjedhjet paraprake, i bëri thirrje presidentit të mos e përsërisë pretendimin e tij, duke thënë se në qoftë se zoti Trump ka prova, atëherë duhet të thotë se përse i beson ato.

Zonja Clinton fitoi votën popullore me rreth 3 milion më shumë. Por zoti Trump fitoi në votën e Kolegjin Elektoral, sistemi që përdoret në SHBA për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale.

Trumpi sot nënshkruan për vizat dhe për murin

Bëhet e ditur se sot presidenti amerikan Donald Trump do të nënshkruajë vendime që parashohin ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA të emigrantëve nga shumë shtete

UASHINGTON – Bëhet e ditur se sot presidenti amerikan Donald Trump do të nënshkruajë vendime që parashohin ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA të emigrantëve nga shumë shtete, ndalimin e përkohshëm të aplikimeve për viza nga gjashtë shtete të tjera krahas Sirisë dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Sipas mediave amerikane dhe lajmet e bazuara në disa persona në ekipin e afërt të Trump, i cili filloi zyrtarisht detyrën më 20 janar, sot do të nënshkruajë vendime që parashohin kufizime të vizave për emigrantë dhe ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Trump gjatë fushatës zgjedhore kishte rekomanduar që “Myslimanët të mos pranohen në SHBA” dhe që më pas kishte thënë se me këtë “ka patur për qëllim procedura më të rrepta të sigurisë”. Thuhet se me vendimet që do t’i nënshkruajë do të ndalohet për disa muaj hyrja e emigrantëve nga shumë shtete.

Se sa do të jetë periudha e caktuar e ndalimit, e cila në disa media thuhet të jetë “katër muaj”, pritet të qartësohet pas shpalljes së vendimit në fjalë.

Në mesin e shteteve janë Siria, Irani dhe Iraku

Po ashtu, u tha se me një vendim të ngjashëm Trump do të pezullojë aplikimet për viza nga shtetet si Siria, Iraku, Irani, Libia, Sudani, Somalia dhe Jemeni, siç thuhet, “derisa të definohen procedura më të rrepta të sigurisë”.

Në disa lajme në mediat amerikane theksohet se kjo periudhë do të jetë 30 ditë.

Gjatë fushatës zgjedhore, po ashtu, Trump kishte shprehur nevojën për inspektime më të rrepta të sigurisë ndaj personave që vijnë nga disa shtete muslimane ku ka terroristë”, duke thënë se do të sjellë kufizime të vizave për shtetet në fjalë derisa të bëhen rregullimet e nevojshme për pengimin e hyrjes së këtyre personave.

Muri në kufi me Meksikën

Sot pritet që Trump gjithashtu të nënshkruajë një marrëveshje që parasheh ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Në një deklaratë të tij në Twitter të martën, Trump u shpreh: “Nesër kemi planifikuar një ditë të madhe që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Krahas shumë gjërave, do ta ndërtojmë edhe murin”.

Parashihet që Trump, i cili gjatë periudhës zgjedhore disa herë kishte thënë se do të ndërtojë mur në kufirin me Meksikën për ta parandaluar hyrjen e migrantëve ilegalë, vendimin për ndërtimin e murit ta nënshkruajë vetëm pesë ditë pas marrjes së detyrës.

Ndryshe, nënshkrimin e parë pas marrjes së detyrës më 20 janar, Trump e hodhi në një vendim i cili parasheh anulimin e ligjit të reformës në shëndetësi Obamacare, i miratuar gjatë periudhës së presidentit pararendës amerikan Barack Obama.

Senati e konfirmon Nikki Haleyn për Ambasadore të SHBA-së në OKB

Ambasadorja e re amerikane në OKB, Nikki Haley

Senati amerikan e ka konfirmuar mbrëmë vonë nominimin e presidentit amerikan, Donald Trump për ambasadore të SHBA-së në OKB me 96 vota pro dhe vetëm 4 kundër.

Guvernatorja e Karolinës Jugore, Nikki Haley e ka fituar përkrahjen e shumicës së senatorëve demokratë sepse ajo ka dëshmuar se nuk i përkrah përpjekjet republikane për zvogëlimin e fondeve amerikane për OKB-në.

Senatori demokrat, Ben Cardin, ka deklaruar se Haley gjithashtu ka thënë se “Krimea nuk është ruse” megjithë aneksimin që ia ka bërë Moska këtij gadishulli ukrainas në vitin 2014 dhe se ajo i ka ofruar mbështetje të fuqishme mbrojtjes së sovranitetit të Ukrainës.

Udhëheqësi i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, ka thënë se Haley, vajza e imigrantëve indian, do të jetë një “avokate e fuqishme” për interesat amerikane në OKB.

Senati pritet të votojë se shpejti edhe për kandidatin e Trumpit për Sekretar të Shtetit, Rex Tillerson, ish shefi i kompanisë, Oxxon Mobil, i cili mezi ka arritur ta marrë miratimin e Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë më 23 janar.

Kandidatura e Tillersonit arriti të sigurojë së fundi edhe përkrahjen e senatorit demokrat, Joe Manchin, i cili në vitin 2018 do të kërkojë votën për tu rizgjedhur senator në një shtet që e ka mbështetur fuqishëm presidentin Donald Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Trumpi ringjall dy projekte të ndaluara nga administrata e Obamës

Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar urdhërat për avancimin e projekteve kontraverse për ndërtimin e tubacioneve të naftës që ishin bllokuar nga administrata e Barack Obamës.

Fjala është për projektet “Keystone XL” dhe tjetri Dakota Access që janë nënshkruar sot nga presidenti Trump.

Ish presidenti Obama kishte bllokuar projektin “Keystone XL” në fund të vitit 2015 duke thënë se ai e dëmton përpjekjen amerikane për të siguruar një marrëveshje për ndryshimet klimatike.

Në vitin 2016 ishte ndaluar edhe projekti për ndërtimin e tubacionit të naftës “Dakota Access”.

Fisi i indianëve të Amerikës, “Sioux” në zonën “Standing Rock” dhe përkrahësit e saj thonë se projekti kërcënon ujin e pijës dhe zonat e mbrojtura të indiano-amerikanëve.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump ka thënë sot se “nga tash e tutje ne do të fillojmë të ndërtojmë tubacione në Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti takohet me gjigandët e autoindustrisë amerikane

Presidenti Donald Trump u takua sot me drejtues të tre prodhuesve të mëdhenj amerikanë të makinave, General Motors, Ford dhe Fiat Chrysler, të njohur si tre të mëdhenjtë. Ai i kërkoi atyre që ta zgjerojnë prodhimin në Shtetet e Bashkuara, jo jashtë vendit.

Dje Presidenti priti në Shtëpinë e Bardhë drejtuesit e korporatave më të mëdha amerikane, të cilëve u kërkoi që të krijojnë vende të reja pune në sektorin e prodhimit në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Trump i ka kritikuar më parë prodhuesit amerikanë të makinave për zgjerimin e operacioneve në Meksikë dhe i vlerësoi ata, kur njoftuan planet për shtimin e vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump i paralajmëroi drejtuesit e bizneseve se do të përpiqet ta bindë Kongresin që të miratojë rritjen e taksës kufitare, ndoshta me 35 për qind, për kompanitë që e eksportojnë prodhimin jashtë vendit dhe pastaj i sjellin mallrat për t’iu shitur konsumatorëve amerikanë, në Shtetet e Bashkuara.

Kaliforni: Për shkak të stuhisë – gjendje e jashtëzakonshme

Ilustrim nga shembja e dheut në Kaliforni

Guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, mbrëmë vonë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonet e këtij shteti, për të ndihmuar në ripërtritjen e dëmeve të shkaktuara nga stuhitë e fuqishme gjatë dhjetorit dhe janarit.

Kalifornia, që ka vuajtur nga thatësia, është goditur fquishëm nga të reshjet e mëdha, së pari gjatë fillimit të dhjetorit, e pastaj edhe në janar, që kanë vazhduar edhe gjatë fundjavës së kaluar, raporton AFP.

“Kam parë se kushtet e rrezikut ekstrem për sigurinë e njerëzve dhe të pasurisë ekzistojnë, për shkak të dëmeve nga stuhia”, tha guvernatori, Jerry Brown.

Ai e ka urdhëruar zyrën e shërbimeve të emergjencës së Kalifornisë që “t’i ndihmoj qeveritë lokale”.

Derisa zyrtarët ende janë në procesin e vlerësimit të dëmeve nga erërat e fuqishme, konsiderohet se ato janë “në dhjetëra miliona dollarë”.

Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në 50 prej 58 qarqeve të Kalifornisë.

Megjithqë stuhia ka sjellur të reshura të mëdha të shiut dhe borë në male, zyrtarët nuk besojnë se kjo do ta përfundoj thatësinë, që vlerësohet se ishte më e madhja në historinë e këtij shteti.

SHBA: Kërcënim për ndaljen e Kinës nga marrja e ujërave ndërkombëtare

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, gjatë takimit të tij të parë me gazetarë mbrëmë në Uashington

Shtëpia e Bardhë ka tërhequr vërejtjen se synon ta ndalë Kinën nga marrja e territorit në ujërat ndërkombëtare në Detin Jugor Kinez, duke ndërtuar ishuj mbi shkëmbinjtë nënujorë dhe përdorimi i tyre për qëllime mbrojtëse.

Por, Kina ka tërhequr vërejtje se çfarëdo përpjekjeje për ndaljen e fushatës së saj do të kërkonte që nga ana e Shteteve të Bashkuara të “udhëhiqej luftë”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, mbrëmë i ka përsëritur komentet e mëhershme të të nominuarit për sekretar amerikan të shtetit, Rex Tillerson, se Kina nuk duhet të lejohet të ketë qasje në ishujt, që i ka ndërtuar në hapësirat kontestuese në Detin Jugor Kinez.

“Nëse këta ishuj janë në fakt në ujërat ndërkombëtare dhe nuk janë pjesë përkatëse e Kinës, atëherë po, ne do të jemi të sigurt se ne i mbrojmë territoret ndërkombëtare që të përvetësohen nga një shtet”, tha zëdhënësi Spicer.

Senati e konfirmoi Pompeon, por Tillersoni kishte probleme

Mike Pompeo

Senati i Shteteve të Bashkuara mbrëmë vonë me lehtësi e ka konfirmuar Mike Pompeo për drejtor të CIA-s, ndërsa Komiteti për marrëdhënie të jashtme i Senatit me vetëm një votë më tepër e miratoi Rex Tillersonin për sekretar amerikan të shtetit.

Të dy këta kandidatë janë nominuar nga presidenti, Donald Trump.

Senati votoi 66 për dhe 32 kundër, që ish-kongresisti, Mike Pompeo, të bëhet drejtor i ri i agjencisë CIA.

Nga ana tjetër, në Komitetin për marrëdhënie të jashtme të Senatit, për zotin Tillerson votuan 11 vetë, ndërsa kundër tij ishin 10 anëtarë të këtij komiteti.

Kryesuesi i komitetit, Bob Corker, tha se “nuk ka dyshim” se Tillerson është kandidat i mirë dhe e ka përmendur punën e tij udhëheqëse në korporatën energjetike, Exxon Mobil.

Por, senatori demokrat, Ben Carden, tha se e kundërshton Rex Tillersonin në bazë të përgjigjeve të tij në pyetjet lidhur me sanksionet kundër Rusisë dhe çështjet e tjera të rëndësishme globale, që më tepër tingëllonin sikur përgjigjej një ekzekutiv biznesor e jo një sekretar i ardhshëm i shtetit.

Megjithatë, Tillerson pritet që do të konfirmohet në përbërjen e plotë të Senatit, ku republikanët e kanë shumicën prej 52 anëtarëve.

Spicer: Audienca më e madhe ndonjëherë për inaugurimin e Presidentit Trump

Zëdhënësi i ri i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, kritikoi përllogaritjen e numrit të pjesëmarrësve në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Donald Trump. Ai tha gjatë komenteve për shtyp se “nuk ka diskutim” se kjo ishte ceremonia e inaugurimit më e ndjekur ndonjëherë.

Zoti Spicer tha se “dhjetëra miliona” vetë ndoqën marrien e drejtimit të vendit nga zoti Trump përmes medias sociale apo përmes transmetimeve në internet, përveç qindra mijërave vetëve të mbledhur në Uashington.

Të shtunën në mbrëmje, zoti Spicer tha për gazetarët “ajo ishte audienca më e madhe që ka ndjekur ndonjëherë një inaugurim, si me prani fizike, apo duke e ndjekur nga pika të ndryshme të globit”.

Ai nuk pranoi pyetje nga gazetarët. Deklaratat e tij për madhësinë e turmës pasojnë fjalët e Presidentit Trump se ndoshta në qendër të Uashingtonit kishte 1.5 milionë vetë që ndoqën ceremoninë e tij të inaugurimit.

Në konferencën e parë për shtyp të hënën, zoti Spicer pohoi se informacioni që kishte përcjellë të shtunën lidhur me numrin e pasagjerëve që kishin përdorur sistemin e metrosë mund të kishte qenë i pasaktë, por shtoi se “do të doja prova që hedhin poshtë deklaratën se ky ishte inaugurimi më i ndjekur presidencial”.

“Unë mendoj se duhet të tregohemi të sinqertë me popullin amerikan,” tha zoti Spicer, duke shtuar “Mund të mos jemi dakord për shifrat, por synimi ynë është të mos gënjejmë kurrë”.

Qeveria amerikane nuk jep më deklarata për numrin e pjesëmarrësve në aktivitete publike në qendër të Uashingtonit, pas përplasjeve të vazhdueshme që ka pasur në të kaluarën me grupe që pretendonin se kishin pasur pjesëmarrje më të lartë në aktivitetet e tyre se sa numri që deklaronin autoritetet.

Grupe të ndryshme mediatike kanë krahasuar pjesëmarrjen në ceremonitë e inaugurimit për presidentin Obama me ceremoninë e inaugurimit të zotit Trump. Sipas përllogaritjeve 1.8 milionë vetë ishin në ceremoninë e 2009 për zotin Obama, ndërsa ka njoftime se vetëm 250 mijë vetë u mblodhën për zotin Trump, megjithëse disa përllogaritje të tjera flasin për një numër më të madh.

Grupet mediatike janë të një mendjeje në përfundimin se një turmë më e madhe u mblodh një ditë pas inaugurimit, në protesta kundër presidencës Trump.

Presidenti Trump nënshkruan tre urdhëra ekzekutivë

Në fillim të javës së parë si Presidenti i SHBA, Donald Trump nënshkroi tre urdhëra ekzekutivë.

Së pari, ai nënshkroi urdhërin që i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja tregtare e Partneritetit të Trans-Paqësorit, TPP, ku përfshihen 12 vende. Në komentet e tij nga Shtëpia e Bardhë, ai e cilësoi urdhërin “diçka shumë të rëndësishme për punonjësin amerikan”.

Së dyti, presidenti i ri, ashtu sikurse kanë vepruar edhe presidentë të tjerë republikanë, nënshkroi urdhërin që rivendos ndalimin e dhënies së fondeve qeveritare ndaj grupeve ndërkombëtare që kryejnë aborte dhe që sigurojnë informacione lidhur me këtë porcedurë.

Së treti, zoti Trump ngriu procesin e punësimit për agjencitë qeveritare, si mënyrë për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

TPP, e nënshkruar në vitin 2009 nga Presidenti Obama, është marrëveshja më e madhe për tregtinë rajonale. Ajo nuk i miratua asnjëherë nga Kongresi. TPP mbulon 40 për qind të ekononomisë së botës dhe rreth një të tretën e tregtisë botërore.

Planet e zotit Trump përfshijnë gjithashtu urdhëra ekzekutivë që përfshijnë imigracionin dhe sigurinë kombëtare. Ai ka nënshkruar tashmë një urdhër që deklaron synimet e tij për të shfuqizuar menjëherë programin e kujdesit shëndetësor të nënshkruar nga zoti Obama.

Të hënën, Presidenti Donald Trump u takua me udhëheqës të biznesit. Ai i paralajmëroi ata se do të vendosë një taksë të konsiderueshme ndaj kompanive që i e eskportojnë prodhimin e tyre jashtë vendit dhe premtoi lehtësira fiskale ndaj atyre që i prodhojnë brenda vendit.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump do të diskutojë për imigracionin dhe reformimin e NAFTAs me presidentin e Meksikës Enrique Pena Nieto, më 31 janar. Ai ka në plan gjithashtu të takohet së shpejti me kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau.

Grupi për etikën do të padisë Presidentin Trump

Presidenti Donald Trump ka vetëm disa ditë që ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, por një grup për etikën ka në plan ta hedh në gjyq presidentin, për siç thonë ata, shkelje të një klauzole jo fort të njohur të kushtetutës amerikane.

Grupi “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë”, që njihet shkurt me emrin CREW dhe i ka zyrat në kryeqytetin amerikan, thotë se ka në plan që të depozitojë sot padinë në një gjykatë federale në Manhatan të Nju Jorkut.

Klauzola për shpërblimet i ndalon fuqitë e huaja, përfshi qeveritë, që të ofrojnë pagesa apo dhurata për presidentin pa miratimin e Kongresit.

Sipas gazetës “The New York Times”, e cila njoftoi e para për këtë çështje të dielën, padia nuk kërkon ndonjë shpërblim monetar, por po i kërkon gjykatës që të ndalojë presidentin që të marrë pagesa nga subjektet e huaja.

Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë, apo CREW, thotë se zoti Trump ka refuzuar të heqë dorë tërësisht nga bizneset e tij.

“Ai tani po merr para në dorë dhe favore nga qeveritë e huaja përmes të ftuarve dhe evenimeteve në hotelet e tij, qirave në ndërtesat e tij dhe marrëveshjeve të rëndësishme imobilare jashtë vendit”, thotë CREW.

Sherri Dillon, një prej avokateve të zotit Trump, tha në fillim të janarit se, “Askush nuk do të kishte menduar kur u hartua Kushtetuta se pagesa e faturës së hotelit do të konsiderohej pagë.”

Drejtori ekzekutiv i CREW, Noah Bookbinder tha përmes një deklerate se, “..nuk deshëm të arrinim në këtë pikë. Patëm shpresuar se Presidenti Trump do të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të shmangur shkeljen e Kushtetutës para se të merrte detyrën.”

Eric Trump tha për gazetën “The New York Times” se padia në fjalë ishte “ngacmim për përfitime politike” dhe e karakterizoi atë si “veprim për të ardhur keq”.

Presidenti Trump tha kohët e fundit se po krijonte në trust ku dy djemt e tij, Donald Trump Jr. dhe Eric së bashku me një prej drejtuesve të lartë të Organizatës Trump, do të drejtonin interesat e biznesit të tij global.

Plani nuk përmbushi kërkesat që ai të shiste të gjitha interesat ekonomike dhe vënien e pasurisë së tij në një trust sekret ku ai nuk mund të kishte dijeni mbi investimet.

Analistët për etikën thonë se nëse Trump nuk i vë pasuritë e tij në një trust sekret, kjo do të shkaktonte pikëpytje të njëpasnjëshme nëse veprimet e tij si president do të sillnin përfitime për interesat e tij financiare.

CREW thotë se kur Presidenti Trump të negociojë marrëveshje tregtare me shtete të ndryshme, “populli amerikan nuk do të ketë se si ta dijë nëse ai do të jetë duke menduar për përfitimet e Trumpit biznesmen.”

Presidenti Trump ka sloganin ‘Amerika së Pari’, tha zoti Bookbinder. “Kjo të bën të mendosh se ai do të zbatojë në mënyrë rigoroze klauzolën e Kushtetutës për shpërblimet e huaja, pasi ajo është shkruar për të siguruar që zyrtarët e qeverisë kanë në mendje interesat e amerikanëve dhe jo të qeverive të huaja.”

Norm Eisen, jurist për etikën në ish administratën e Presidentit Obama, është anëtar i ekipit ligjor të grupit CREW. Ai tha për gazetën ‘The Times’ se padia është një mënyrë për të bërë publike taksat federale të zotit Trump dhe për të vlerësuar siç duhet marrëveshjet tregtare të presidentit dhe për të parë se sa u detyrohet qeverive të huaja si Kina apo Rusia.

SHBA: Plan për legjislacion të kufizimit të lehtësimit të sanksioneve ruse

Charles Schumer

Lideri udhëheqës demokrat në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Charles Schumer, nga Nju Jorku, tha se planifikon paraqitjen e ligjislacionit dypartiak, me të cilin do të kërkohej që presidenti Donald Trump, do të duhej të kishte miratimin e Kongresit, për tërheqje të sanksioneve, që aktualisht janë të imponuara kundër Rusisë.

Zoti Schumer i tha dje rrjetit ABC se nisma ishte mbështetur edhe nga kolegët e tij republikanë, John Mccain dhe Lindsay Graham.

Ata planifikojnë që legjislacioni do të paraqitet më vonë këtë javë.

Senatori Schumer, duke e cituar involvimin e Rusisë në konfliktin ushtarak në Ukrainë dhe ndërhyrjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale amerikane, tha se Moska paraqet “rrezik, me të cilin ne nuk jemi ballafaquar kurrë në këtë masë në historinë amerikane”.

Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump, ka shfaqur shpresë për raporte më të afërta dhe e ka lavdëruar presidentin rus, Vladimir Putin.

SHBA: Nga stuhia – së paku 18 të vrarë

Ilustrim nga një stuhi e mëparshme në Shtetet e Bashkuara

Nga stuhitë e fuqishme në gjithë pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara, gjatë ditës së djeshme, janë vrarë së paku 18 vetë.

Më së shumti fatalitete janë raportuar në Xhorxhia, ku kanë vdekur 14 persona.

Guvernatori i Xhorxhias ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në shtatë rajone, në mënyrë që me procedurë të shpejtuar të lirohen burimet për ndihma në kuadër të përpjekjeve për ripërtritje.

Rreziku nga erërat e fuqishme mbetet edhe mëtutje, kanë thënë autoritetet.

Presidenti Trump reagon ndaj Marshimit të Grave në Uashington

Presidenti Trump i ironizoi qindra mijëra pjesëmarrësit në marshimet e djeshme, që protestuan ndaj administratës së tij të re.

“I pashë protestat dje, por kisha përshtypjes se ne sapo fituan zgjedhjet. Pse nuk votojnë këta njerëz? Personat e famshëm e dëmtojnë kauzën e tyre”, tha ai në një mesazh në Twitter nga Shtëpia e Bardhë.

Ikona e feminizmit, Gloria Steinem, Madonna, aktorja Scarlett Johansson dhe figura të tjera të njohura, morën pjesë në Marshimin e Grave në Uashington të shtunën, në shenjë proteste ndaj inaugurimit të zotit Trump, si president i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Dy orë më pas, Presidenti Trump tha po në Twitter se “protestat paqësore janë një tipar dallues i demokracisë. Edhe nëse nuk jam gjithmonë dakord me ta, unë i respektoj të drejtat e qytetarëve për të shprehur pikëpamjet e tyre.

Presidenti Trump u krenua gjithashtu për numrin e atyre që kishin pare inaugurimin etij në televizion, duke shkruajtur:

“Shifrat për audiencën televizive sapo dolën: 31 milionë vetë e pane inaugurimin, 11 milionë më shumë sesa shifrat gjithashtu shumë të larta të para katër viteve më parë!”.

Shërbimi Nielsen që ndjek audiencat televizive tha se 30.6 milionë shikues panë ceremoninë e marrjes së pushtetit nga zoti Trump, në krahasim me 20.6 milionë që panë inaugurimin e dytë të ish-presidentit Barack Obama në vitin 2013, por kjo shifër ishte 19 për qind më e vogël sesa ajo prej 37.8 milionësh që panë inaugurimin e pare të zotit Obama në vitin 2009. Më shumë amerikanë shohin inaugurimin e një presidenti të ri, me shifrën më të lartë ndonjëherë – 41.8 milionë – të regjistruar në vitin 1981 kur Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të parë.

PresidentiTrump, tha të shtunën në vizitën e tij në CIA, se media gënjeu për numrin e pjesëmarrësve në inaugurim. Disa organe mediash në Shtetet e Bashkuara botuan fotografi ku pjesë të mëdha të Shëtitores Kombëtare, ishin të zbrazëta në inaugurimin e tij. Ata i vunë këto fotografi përkrah fotografive të vitit 2009, ku shëtitorja ishte mbushur me njerëz që kishin ardhur për betimin e zotit Obama.

Zyrtarët amerikanë nuk bëjnë llogaritje zyrtare të pjesëmarrësve, por presidenti i ri tha se turma e së premtes fillonte tek Capitoli ku ai bëri betimin deri në Monumentin e Uashingtonit, që nderon presidentin e parë amerikan, George Washington. Pretendimi i tij nuk është i vërtetë.

Zoti Trump tha se media gënjeu.

Më pas foli edhe Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

“Ishte audienca më e madhe ndonjëherë në një inaugurim, përfshirë pjesëmarrësit dhe audiencat në gjithë globin”, tha ai.

Gjatë gjithë fushatës së tij, zoti Trump ka denigruar median për shkrimet ndaj tij. Për javë të tëra pas zgjedhjeve, ai nuk i pranoi përfundimet e komunitetit të zbulimit, se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhje, në përpjekje për ta ndihmuar atë të fitojë. Vetëm pak para inaugurimit, ai pranoi se Presdenti rus kishte urdhëruar sulmin kibernetik në kompjuterin e kreut të fushatës së Hillary Clintonit, John Podesta.

Senatori McCain e përkrah miratimin e Tillersonit si Sekretar Shteti

Senatori republikan nga Arizona, John McCain ka thënë se ai do e përkrahë ish shefin e kompanisë, Exxon Mobil, Rex Tillerson të bëhet Sekretari i Shtetit, megjithë lidhjet e tij të ngushta me Rusinë dhe presidentin Vladimir Putin.

McCain i ka thënë sot televizionit amerikan, ABC se “nuk ka qenë vendim i lehtë” marrja e këtij vendimi dhe se ai është “shumë i kujdesshëm” në përkrahjen që i jep Tillersonit ditën kur Senati do të votojë për miratimin e tij, më 23 janar.

McCain ka thënë se Tillerson e ka bindur atë se e meriton përkrahjen pas disa takimeve private. Ai ka shtuar se ai gjithashtu beson se presidentëve të rinj duhet dhënë mundësinë kur janë në pyetje përzgjedhjet për postet në administratën e tyre.

Krahas Tillersonit, Senati pritet që nesër gjithashtu të votojë për emërimin e Mike Pompeo në krye të Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, CIA.

Por, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer ka thënë sot se Partia Demokratike nuk do të ngutet të votojë nominimet e presidentit Donald Trump.

Schumer ka thënë se do të ketë “debate të hollësishme” për shumicën e nominimeve.

Vetëm dy nominime të presidentit Trump janë miratuar deri më tash.

Fotot tregojnë numrin e të pranishmëve në inaugurim, Trumpi i quan mediat gënjeshtare

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar median si gënjeshtare për fotot që u publikuan në lidhje me sasinë e të pranishmëve në inaugurimin e tij si President.

Trumpi po mbante fjalimin e tij pas betimit ndërkohë që në media u shfaqën fotot e të pranishmëve në Shëtitoren Kombëtare që e krahasonin me inaugurimin e Barack Obama-s si President në vitin 2009.

Ndërsa sipas sekretarisë së shtypit të Donald Trump, kjo ka qenë pjesëmarrja më e madhe e parë ndonjëherë në ndonjë inaugurim, edhe pse sipas medias aty ishin të pranishëm jo më shumë se 750 mijë vetë, ndërsa për inaugurimin e Obamas morën pjesë 1.8 milionë persona.

Trump tha se administrata e re amerikane  do të shqyrtojë me kujdes lajmet e paraqitura nga mediat. Të shtunën, miliona vetë morën pjesë në protesta në SHBA dhe në mbarë botës për të drejtat e grave, aktivistët e të cilave besojnë se janë në kërcënim tani me administratën e re amerikane.

Protesta më e madhe në SHBA, u bë në kryeqytetin e Uashingtonit, ku më shumë se 500 mijë vetë dolën rrugëve me pankarta në duar, shkruan BBC.


Send this to a friend