VOAL

VOAL

Greqi – Rihapen bankat

Bankat greke janë rihapur pas mbylljes tre-javore, që synonte parandalimin e shpenzimit të parave të gatshme në vend.

Megjithatë, kufizimet në transaksionet dhe tërheqjen e parave mbesin.

Kufizimi ditor është 60 euro tërheqje nga bankomatet; grekët mund të tërheqin deri në 420 euro në javë.

Shumë mallra do të bëhen më të shtrenjta për shkak të një rritjeje në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që Parlamenti e miratoi më 16 korrik, pjesë e serisë së parë të masave shtrënguese të vendosura në Greqi nga kreditorët e saj.

Qeveria gjithashtu pritet të paguajë 4.2 miliardë euro në Bankën Qendrore Evropiane më 20 korrik, në sajë të një kredie afat-shkurtër prej 7.16 miliardëve të ofruar nga Bashkimi Evropian më 17 korrik.

200 të lënduar nga zjarret që kapluan Greqinë

Ekipet zjarrfikëse vazhduan edhe gjatë natës me shuarjen e 59 zjarreve pyjore dhe 99 zjarreve në vise urbane, të cilat gjatë ditës së djeshme shpërthyen në Greqi

Rreth 200 njerëz të cilët zjarri i ngujoi në plazh u evakuuan me barka.

Zjarri është ende aktiv në Kareas, Malaksa, Meopolia në Lakoni dhe në Spatovinija në Korint, u tha gazetarëve zëdhënësi i zjarrfikësve Nikos Cogas.

Ekipet zjarrfikëse gjatë ditës së djeshme kanë dhënë ndihmë në 45 raste, ka shtuar ai.

Cogas ka thënë edhe se situata është përmirësuar pak në të gjitha vendet ku kanë shpërthyer zjarret, por se ekziston rrezik nga era e fuqishme.

Për këtë arsye, për ditën e sotme është ndaluar qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve në afërsi të pyjeve në Atikë.

Dhjetëra banorë të Athinës kanë lëshuar shtëpitë e veta sepse zjarri po përhapet nga pyjet përreth për shkak të erës së fuqishme dhe temperaturave të larta, ndërsa mbi kryeqendrën greke janë ngritur re të tymit.

Zjarri ka shpërthyer edhe në pjesën lindore të Athinës, në afërsi të stadiumit të ekipit futbollistik, Panathinaikos.

Greqia ditët e fundit u përfshi nga valë e ngrohtësisë, me temperatura ndërmjet 35 dhe 38 gradë Celsius në hije.

Era e fuqishme e përhap zjarrin edhe në rajonin e Lakonisë në Peloponez, ku drejt një plazhi janë nisur barkat e rojës bregdetare për të shpëtuar qindra njerëz që janë strehuar nga flakët.

Një burim i policisë ka thënë se një person ka vdekur si pasojë e djegieve dhe problemeve respiratore.

“Situata është kritike”, ka thënë guvernatori i Peloponezit Patros Tatulis për televizionin shtetëror.

Në atë rajon vija e zjarrit është shtrirë në 15 kilometra dhe për shuarjen e tij janë angazhuar të gjitha forcat e disponueshme të Peloponezit.

Janë evakuuar tre fshatra dhe dy kampe të fëmijëve.

Digjet Tyrbja e vetme në Medvegjë (Foto)

Në Medevegjë dje është djegur objekti i vetëm i kultit, ku kryenin rituale besimtarët myslimanë shqiptarë, tyrbja. Bashke me Tyrben, flakët shkrumbuan edhe varrin ku ishte varrosur i shenjti.

Në këtë komunë janë dy xhami, një në Banjë të Sjarinës dhe tjetra në të Kapit, ndërkohë e vetmja tyrbe është si monument islam që e kanë përdorur shqiptarët. Ajo ishte rinovuar vite më parë.
Njoftohet se policia e Serbisë ka nisur menjëherë hetimet për këtë akt kriminal.

Në vijim po e japim reagimin e Bashkësisë Islame të Medvegjës, postuar nga Partia për Veprim Demokratik.

“Të nderuar lexues PVD-ja sapo mori informatën nga Kryesia e Bashkësisë Islame, dega në Medvegjë, të cilën po ua prezantojmë në tërësi:

Sot, në Natën e Madhe, fatkeqësisht duhet t’ ju informojmë se sot më datën 16.07.2015 pas orës 16.00, ka ardhur deri te djegia e Tyrbes në Medvegjë . Ky veprim barbar, vandal është bërë në një mbrëmje të shenjtë prej personave të cilët nuk dinë ose nuk dëshirojnë të respektojnë fenë.

Shqiptarët të cilët kanë qenë në pushtet më shumë mund dhe sakrificë e bënë riparimin e tyrbes, e cila është i vetmi objekt fetar në qendër të Medvegjës. Djegia e tyrbes nga këndi i ynë shqiptar është sinjal i fuqishëm që shqiptarët janë të padëshiruar në komunën e Medvegjës. Kjo djegie në mbrëmjen e shenjtë, kur të gjitha familjet në gjirin e tyre familjar presin mbrëmjen e Fitër Bajramit, e cila është datë e qëllimshme e zgjedhur për të lënduar fuqinë dhe guximin shqiptar në Medvegjë.

Kryetari i Bashkësisë Islame së bashku me Kryesi dhe disa qytetarë kanë qenë në vendngjarje, ku kërkuan nga organet kompetente që të gjendet akteri i këtij veprimi makabër.

Pa marrë parasysh se si do të veprojnë organet kompetente, Kryesia e Bashkësisë Islame në Medvegjë shumë shpejt do ta bëjë riparimin e objektit, ashtu që besimtarët do të mund të vizitojnë tyrben në Medvegje. Me shumë dhimbje dhe pikëllim po japim këtë informatë, por ky veprim qyqar nuk do të na dobësojë dhe jap frikën, por përkundrazi na forcon dhe inkurajon të jemi më të fuqishëm dhe unikë për të ecur në kohëra më të mira.

Qytetarë të nderuar të Komunës së Medvegjës në këto momente të hidhura, ne e gjejmë fuqinë dhe optimizmin për t’ju uruar Fitër Bajramin me të vetmen dëshirë të kemi begati, shëndet dhe gëzim në çdo familje shqiptare, përfundon njoftimi.

HRW: Në Ballkanin Perëndimor – mjedis armiqësor për gazetarët

Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, u bëri thirrje autoriteteve në Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi e Serbi që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurt për veprimtarinë e mediave dhe t’i japin fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve.

Në një raport të kësaj organizate të publikuar të mërkurën, thuhet se gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritikuese dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike.

Raporti prej 69-faqesh “Një profesion i vështirë: Liria e medias nën sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe kërcënime me  vdekje, ndëshkime në formën e padive në gjykata dhe fushata përgojimi kundër gazetarëve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

Raporti mbështetet në intervista me 86 gazetarë, të cilët raportojnë mbi çështje më të ndjeshme siç krimet e luftës dhe korrupsioni.

Human Rights Watch dokumentoi edhe disa raste sulmesh nëpërmjet Internetit kundër mediave online që kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj qeverive. Në asnjërin nga këto vende nuk janë duke u hetuar apo ndjekur sulmet kundër gazetarëve në fjalë, theksohet në raport.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë theksuar me zhurmë përparimin e tyre drejt demokracisë në këto dy dekada, por kërcënimet dhe sulmet mbi gazetarët e njollosin këtë demokraci” tha Lydia Gall, studiuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore në Human Rights Watch. “Bashkimi Evropian duhet të nxisë vendet e Ballkanit Perëndimor t’u japin fund kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe të ndjekin penalisht krimet kundër tyre, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në BE.”

Autoritetet në vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë detyrim mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, ku ata të mund të raportojnë të lirë dhe pa ndërhyrjen e qeverisë, thuhet në raport. Kjo është veçanërisht thelbësore, në një rajon të brishtë si kjo pjesë e Ballkanit, me historinë e tij të luftërave të dhunshme, ku autoritetet përdorën mediat si mjete propagandistike.

Shtefica Galiç, kryeredaktore e një agjencie lajmesh në internet në jug të Bosnjë Hercegovinës, u sulmua dhunshëm në rrugë në vitin 2012 ndërsa po përgatitej të shfaqte një dokumentar për burrin e saj të ndjerë, bashkë me të cilin kishte shpëtuar myslimanë boshnjakë nga deportimi nëpër kampet e përqendrimit gjatë luftës. Para sulmit, Galiç kishte marrë kërcënime me vdekje, por policia i kishte kërkuar që të mos i merrte ato seriozisht.

Autoritetet e hetuan sulmin, vetëm pas ndërhyrjes së organizatave ndërkombëtare. Një grua e punësuar në qeverisjen lokale u dënua në tetor të vitit 2013, dhe iu shqiptua një masë pezullimi prej tre muajsh. Rasti është në fazën e apelit. Galiç vazhdon të marrë kërcënime.

Human Rights Watch dokumentoi një model të vepruari, në Bosnjë Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, të zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe kryeministrin Milo Gjukanoviç, dhe presidentin Milorad Dodik të Republika Srpskas në Bosnjë Hercegovinë, që përfshinë paditjen e gazetarëve dhe mediave për përgojim në gjykatën civile. Këto masa duken një përpjekje për të ndëshkuar financiarisht mediat kritikuese dhe për të mbajtur gazetarët në gjykatë, duke mos i lënë të dalin jashtë për të kryer punën e tyre, thuhet në raport.

Gazetarët që kanë raportuar mbi çështje të ndjeshme u janë nënshtruar fushata të përgojimeve nga mediat pro-qeveritare. Një gazetë e përditshme pro-qeveritare akuzoi një gazetare nga Kosova si spiune serbe pasi që ajo kishte raportuar mbi zbatimin apo jo të premtimeve zgjedhore nga ana e qeverisë lokale.

Gazetaret kanë qenë në shënjestër  të artikujve ofendues. Një gazetë pro-qeveritare në Malin e Zi, e  cilësoi një gazetare si “prostitutë”.

Katër vendet e Ballkanit perëndimor janë në faza të ndryshme negocimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për t’u anëtarësuar, ato duhet të përmbushin disa kritere, ku përfshihet edhe respektimi i lirisë së shprehjes.

“Nëse Bashkimi Evropian i merr seriozisht kriteret e veta të anëtarësimit, duhet ta kthejë në përparësi respektimin e lirisë së mediave gjatë negociatave me Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë” tha Gall. za

Ekspertët – Grexit jo sot, por më vonë

Marrëveshja me Greqinë është pritur ndryshe nga ekonomë të ndryshëm. Marrëveshja është një “shtyrje e insolvencës”, i tha presidenti i Shoqatës së Bizneseve Familjare, Lutz Goebel, agjencisë së lajmeve Reuters. Greqia nuk do të mund t’i shlyejë kurrë borxhet e saj. “Vetëm se hidhen para të tjera në zjarr.” Ai është i mendimit se bartësit kryesorë të kësaj marrëveshjeje janë taksapaguesit evropianë. “Ato u detyruan përsëri edhe një herë, që të blejnë pak kohë për shumë para”, tha Goebel.

I kujdesshëm dhe në pritje është qëndrimi i Marcel Fratzscher, president i Institutit gjerman për Kërkime Ekonomike. Eshtë heret për ta parë marrëveshjen si sukses. Bëhet fjalë vetëm për një hap të parë, për të ndaluar spiralen e rënies së Greqisë. Të pazgjidhura mbeten pyetjet, se si do të arrijë shteti grek që të jetë në gjendje të paguajë, se si sistemi bankar do të ristrukturohet dhe si do të vijnë impulset e rritjes. Por në përgjithësi Fratzscher e vlerësoi pozitivisht rezultatin e arritur: “Marrëveshja është një rezultat i mirë për Europën dhe për Gjermaninë.”

Kërkesa të rrepta

Presidenti i Komisionit Juncker, shefi i Eurogrupit Dijsselbloem, presidenti i Këshillit të BE, Tusk, bëjnë të ditur marrëveshjen. Presidenti i Komisionit Juncker, shefi i Eurogrupit Dijsselbloem, presidenti i Këshillit të BE Tusk, bëjnë të ditur marrëveshjen.

Tani nga Greqia kërkohet shumë. Deri të mërkurën e kësaj jave parlamenti duhet të unifikojë taksën e vlerës së shtuar dhe të rrisë bazën tatimore; duhet të kryejë kursimet e para në sistemin e pensioneve. Duhet të realizojë pavarësinë e entit të statistikave Elstat. Dhe duhet të instalojë “shkurtime gjysëm automatike të shpenzimeve”, të cilat duhet të hyjnë në veprim, në rast se qeveria rrezikon të mos i përmbahet “objektivave ambicioze të kursimeve”. Për vitin 2018 duhet të garantohet një tepricë primare prej 3,5 përqind.

Për të mërkurën e javës së ardhshme (22.07) parlamenti duhet të instalojë direktivën bankare europiane BRRD. Kjo paraqet specifikat për rikuperimin dhe mbylljen e instituteve kredidhënëse dhe firmave të letrave me vlerë.”

Përveç kësaj Greqia duhet të liberalizojë më tej ekonominë. Dyqanet duhet të lejohen të jenë të hapura. Por sidomos dy kushte mund t’i dhëmbin shumë Greqisë. Së pari që Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë pjesë e përbërëse e të ashtuquajturave “institucione”. Dhe së dyti do të ngrihet një fond bamirësie. Në të do të kalojnë pasuritë shtetërore greke dhe në fund do të privatizohen. Të ardhurat do të përdoren për të paguar borxhin grek. Sipas të dhënave të deritanishme fondi duhet të ketë në fund një shumë prej 50 miliarë eurosh.

“E shtënë paralajmëruese për Evropën”

Kërkesat janë të rrepta. Por pikërisht për këtë arsye në të mirë të Eurozonës si një të tërë. Marrëveshja ështe një “e shtënë paralajmëruese për Evropën”, thuhet në një deklaratë të Shoqatës së Bankave Gjermane. “Këtu nuk është fjala as për Gjermaninë dhe as për Greqinë, por që BE duhet të bëjë mirë të gjejë zgjidhje të përbashkëta”, bëri të ditur Shoqata e Bankave Gjermane.

Por kusht për të ndërtuar besimin e shkatërruar të kreditorëve në qeverinë greke është që ato të zbatohen. Por kjo sipas mendimit të Jërg Kramer, kryeekonomist në Commerzbank, nuk është e sigurtë. “Në Athinë kemi të bëjmë me një qeveri, që nuk tregon asnjë mirëkuptim për domosdoshmërinë e reformave.”

Çarje në Eurogrup

Mjedis dashamirës për reforma? Një fasadë shtëpie në Athinë. Mjedis dashamirës për reforma? Një fasadë shtëpie në Athinë.

Në përfundimin e saj të paqartë kriza pasqyron diferencat e përgjithshme të Eurozonës. Ajo ka një ndarje të thellë, thotë Krämer. Gjermania dhe vendet e Evropës verilindore kërkojnë një bashkim monetar, siç e parashikon Traktati i Mastrihtit, që mbështetet në financat e shëndosha publike, në ekonominë e tregut dhe në një bankë qendrore të pavarur. Vendet jugore, të udhëhequra nga Franca, duan nga ana tjetër një bashkim monetar pa rregulla të qëndrueshme buxhetore dhe një bankë qendrore, që është e pavarur nga politika. Këto dallime do të kenë pasoja afatgjata, mendon Krämer: “Mungesa e një konsensusi për reformën, do ta detyrojë për fat të keq Bankën Qendrore Evropiane, që ta mbulojë problemin e pazgjidhur të bashkimit monetar me një politikë të lirshme monetare.”

Edhe Jürgen Michels, kryeekonomist i Bayerische Landesbank, beson se konstrukti i Eurogrupit ka marrë çarje. Dhe se problemet e Greqisë janë zgjidhur vetëm përkohësisht. Sepse do të jetë shumë e vështirë për t’i zbatuar qoftë masat e menjëhershme ashtu edhe reformat themelore. “Kërkesa është: Grexit jo sot, por më vonë.” dw

Rumani: merret i pandehur kryeministri Ponta – për evazion fiskal, riciklim parash dhe deklarata të rreme

VOAL – BUKURESHT, 13 KORRIK – Prokuroria rumune mori të pandehur kryeministrin Victor Ponta për evazion fiskal, riciklim parash dhe për dhënia deklaratash të rreme kur punonte avokat në vitet 2007 e 2008.

Në atë periudhë Ponta, i cili nuk i pranon akuzat, ishte deputet. Pasuritë e tij janë ngrirë përkohësisht. ansa

Dëshmitarët kujtojnë masakrën e Srebrenicës

Srebrenica ka hyrë në histori si skena e masakrës më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës II Botërore. Mbi 8000 djem e burra myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjes. Në 20 vjetorin e masakrës, dëshmitarët e kësaj tragjedie kujtojnë ditët e përgjakshme të korrikut 1995.

Nexhad Avdiç ishte 17 vjeç kur forcat serbe të Bosnjes e futën në këtë shkollë në fshatin Petkoviçi, së bashku me 1000 burra e djem të tjerë, pas rënies së Srebrenicës. Ai ishte përpjekur të shpëtonte duke u fshehur në pyll me të tjerë, pasi forcat hollandeze e dorëzuan qytetin.

Pas kapjes, ai kujton se si e kishin futur në një prej klasave të mbushura me njerëz, në të nxehtët e verës.

“Klasa ishte e mbushur me njerëz. Ajri ishte i padurueshëm. Njerëzit pinin urinën e tyre, pasi nuk na jepnin ujë. Ishte korrik dhe bënte shumë vapë. Dikush u përpoq të hapte dritaren, por ushtarët hapën zjarr duke plagosur një numër njerëzish. Një burrë nga fshati im që e kisha njohur prej vitesh, u qëllua në qafë, por askush nuk e ndihmonte dot.

Për ditë me radhë ai dëgjonte zërat e atyre që nxirreshin nga shkolla dhe ekzekutoheshin. Në mesnatën e 14 korrikut 1995 ushtarët e urdhëruan atë dhe të tjerë të dilnin përjashta. Ai kujton pirgjet me trupat e të ekzekutuarve që pa gjatë ecjes më këmbë e më pas rrugës me kamion deri tek një fushë e hapur, ku ushtarët filluan të qëllojnë mbi ta. Nexhadi u plagos, por bëri sikur kishte vdekur.

“Më kujtohet që kisha dhimbje në anën e djathtë dhe në krah. Qëndrova shtrirë duke u dridhur. Plumbat fishkëllenin rrotull. Kisha dhimbje të forta dhe prisja që të më kapte një plumb tjetër. Para syve të mi binin njerëzit që goditeshin nga plumbat”.

Pas largimit të ushtarëve, ai dhe një tjetër i mbijetuar arritën të dalin nga zona dhe duke ecur për katër ditë radhazi, arritën në zonën e kontrolluar nga qeveria e Bosnjes.

Historia e Nexhadit është e rrallë për Srebrenicën ku mbi 8000 djem e burra u vranë nga forcat serbe të Bosnjes. Srebrenica, e shpallur nga OKB-ja si zonë e sigurtë për civilët, ishte nën mbrojtjen e një kontigjenti të vogël paqeruajtësish hollandezë, të armatosur lehtë. Ushtarët hollandezë nuk arritën të mbrojnë popullatën civile, përballë dyndjes së ushtarëve serbë të Bosnjes.

Masakra ndryshoi përgjithmonë jetët e ushtarëve hollandezë. Shumë prej tyre vuajnë nga stresi post-traumatik, disa kanë kryer vetëvrasje. Rob Zomer, në atë kohë pjesë e kontigjentët të paqeruajtësve, thotë se ka 20 vjet që dëgjon sharje si: vrasës, frikacakë, të pashpirtë. Nuk ke si të mos stresohesh, thotë ai.

Zomer vendosi të mos i fshihet fantazmës së luftës që do të jetë gjithmonë pjesë e historisë së tij, por të ballafaqohet me të. Ai ka ndërtuar një shtëpi përballë kodrave të gjelbëruara të Srebrenicës. Jeta e tij si blegtor i ngjet tani rutinës së përditshme të fshatarëve të Bosnjes.

Njerëzit mendojnë se nuk bëmë asgjë, por ne u përpoqëm në kushte tepër të vështira, thotë ai, duke fajësuar Kombet e Bashkuara se i dërguan paqëruajtësit për një mision të pamundur:

“Nuk e dua aspak OKB-në. Nuk më pëlqen. OKB-ja nuk donte t’ia dinte për popullin boshnjak. As për mua dhe kolegët e mi. Ata na e lanë ne në dorë, por si mund të ndihmonim ne?”

Tani ai përpiqet të ndihmojë veteranët e luftës që përballen me traumat pas-konfliktit.

Pas luftës edhe Nexhadi u kthye në Srebrenicë, ku gjeti punë dhe krijoi familje. Megjithëse ka ndërtuar një jetë të re, kujtimet e frikshme të asaj kohe e mbërthejnë herë pas here. Ai thotë se në ato momente e ndihmon një vizitë në varrezën ku prehej 6000 nga 8000 viktimat e masakrës së Srebrenicës. Në 20-vjetorin e masakrës, varrezës i shtohen eshtrat e 136 viktimave të identifikuara kohët e fundit.

Demonstrues detyrojnë Vucicin të largohet nga Srebrenica

Protestues të zemëruar e përzunë kryeministrin serb Aleksandar Vucic prej kremtimeve në përkujtim të masakrës së Srebrenicës. Demonstruesit njoftohet se fishkëllyen në mënyrë masive dhe ngacmese dhe qëlluan me gurë dhe shishe, dhe ai u detyrua të largohej nga ceremonia përkujtimore. Vucici kishte shkruar në Srebrenicë për të përkujtuar me shumë politikanë të tjerë mijëra burrat dhe djemtë myslimanë që cilët ishin vrarë atje në vitin 1995 nga forcat e serbëve të Bosnjës.

Vucic: Krim monstruoz

Para ceremonisë përkujtimore të masakrës së Srebrenicës, kryeministri serb Aleksandar Vucic, e kishte dënuar atë si një “krim monstruoz”.

“Serbia e dënon këtë krim të tmerrshëm në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke dhe ndjen neveri për të gjithë ata që morën pjesë në të, dhe do t’i nxjerrë ata në gjyq,” shkroi Vucic në një letër të hapur pak para pjesëmarrjes së tij në ceremininë përkujtimore. Por ai e mënjanoi termin “gjenocid”.

“Nuk ka fjalë për të shprehur keqardhjen dhe dhimbjen për viktimat, as zemërimin kundër atyre që kanë kryer këtë krim monstruoz,” shkroi Vucic. Ai shkruante se e ndjen si “detyrë të përkulet para viktimave”. Qeveria serbe dëshiron të jetojë së bashku me boshnjakët dhe të rivendosë besimin, shkruante Vucic duke shtuar, “dora ime është shtrirë” dhe se ky është detyrimi e tij ndaj atyre që kanë vdekur, dhe për brezat e ardhshëm. dw

Moody’s – Shpëtimi i Greqisë, mision i pamundur

 

VOAL – “Pavarësisht marrëveshjes politike për Greqinë që mund të arrihet këtë fundjavë, theksojmë se rreziqet e arritjes së shpëtimit janë ende të larta dhe kushtet e financimeve të huaja do të jenë me të vështira për t’u absorbuar për shkak të sfidave politike dhe sociale të këtij vendi.”

Kështu thonë analistët e Moody’s në prag të marrëveshjes për shpëtimin e Greqisë. ansa

Greqia bën lëshime të papritura

Marrë nga Reuters

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras i bëri thirrje sot ligjvënësve të mbështesin një paketë reformash të ashpra, pak, pasi bëri lëshime të papritura të minutës së fundit, në përpjekje për të shpëtuar vendin nga një kolaps financiar.

Partnerët e Eurozonës u dukën të gatshëm për të arritur gjatë fundjavës një marrëveshje që do të mbante Greqinë brenda Eurozonës.

Pasi hyri mes duartrokitjeve në një mbledhje të partisë, zoti Tsipras u përpoq të fitonte mbështetjen e ligjvënësve të tij për propozimin e ri.  Ai u bëri thirrje ta ndihmojnë Greqinë të qëndrojë në Euro, por u përball me rezistencën e disa majtistëve të befasuar që ai ka pranuar tashmë disa masa shtrënguese të refuzuara më parë.

“Ballafaqohemi me vendime kritike”, i tha zoti Tsipras grupit të tij parlamentar. “Kemi mandatin për të arritur një marrëveshje më të mirë se ajo që na dha Eurogroup-i, por i cili nuk është absolutisht një mandat për të nxjerrë Greqinë nga Eurozona,” shtoi ai.

Paketa më e fundit për reforma është tepër e ngjashme me kushtet që grekët refuzuan në referendum të dielën e kaluar, duke zemëruar kështu anëtarët e plaftformës së majtë brenda partisë Syriza. Pesë prej tyre nënshkruan një letër ku thuhej se do të ishte më mirë të rikthehej dhrahmia, se sa të pranonin masa të mëtejshme shtrënguese pa marrë falje të borxhit.

Ministri i energjisë, Panagiotis Lafazanis, i cili i përket fraksionit të majtë, i tha agjensisë Reuters se “propozimi nuk përputhet me programin e partisë Syriza”. Ai nuk rrëfeu se si do të votojë gjatë seancës parlamentare.

Edhe në rast se do të ketë një rebelim nga brenda partisë së tij, zotit Tsipras i është garantuar mbështetja e ligjvënësve të opozitës për të arritur numrin e duhur të votave, por kjo do të dobësonte pozitat e tij politike. Partia e qendrës, To Potami, dhe partia kryesore e opozitës së qendrës së djathtë, Demokracia e Re, kanë thënë se do ta mbështesin.

“Serioze dhe e besueshme”

Gjermania, vendi që ka kontribuar më shumë për fondet e shpëtimit, u tregua e kujdesshme. Një zëdhënës i ministrisë së financave përjashtoi mundësinë e një ristrukturimi të borxhit që do sillte ulje të vlerës së tij reale.

Franca, mbështetësja më e madhe e Greqisë në Eurozonë, shpejtoi ta vlerësojë propozimin.

Presidenti francez Hollande e quajti ofertën “serioze dhe të besueshme”. Kreu i Eurogroup-it, Jeroen Dijsselbloem e quajti një “tekst të detajuar”, por nuk hyri në detaje. Ai u tha gazetarëve se një mbështetje e gjerë në Greqi do t’i jepte më shumë besueshmëri, por se edhe atëherë duhet shqyrtuar me kujdes dhe se sidoqoftë do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm për t’u marrë.

Mbështetja e kreditorëve është thelbësore në mënyrë që udhëheqësit e Eurozonës të mbështesin propozimin. Zoti Dijsselbloem, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Maroi Draghi dhe kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde e diskutuan planin nëpërmjet një videokonference.

Euro fitoi mbi 1% ndaj dollarit dhe tregjet evropiane përjetuan një përmirësim. Bonot italiane, spanjolle dhe portugeze ranë, duke reflektuar kështu perceptimin e zvogëlimit të riskut.

Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Lew, tha se Greqia dhe kreditorët e saj duket se janë më pranë një marrëveshjeje, dhe bëri thirrje për një përshtatje të barrës së borxhit të Athinës, për të lehtësuar shpërndarjen e parave të thata. Greqisë i duhet ende të zbusë qëndrime të ashpra ndaj saj nga partnerët e tjerë të Eurozonës.

Ministrat e financave të 19 vendeve të Eurozonës do të takohen të shtunën për të vendosur nëse do të rekomandojnë hapjen e negociatave për një program të tretë shpëtimi, megjithë lodhjen prej krizës 5-vjeçare greke. Një zyrtar i lartë i BE-së tha se në takim do të diskutohet edhe nëse duhen lehtësuar kushtet e borxhit.

Greqia ka kërkuar 53.5 miliardë Euro deri në vitin 2018, si dhe një rishikim të borxhit afatgjatë të vendit.

Një marrëveshje e re do të duhet të miratohet edhe nga parlamentet e vendeve anëtare, përfshirë Gjermaninë.

Parlamenti i Estonisë ishte i pari që i dha qeverisë estoneze miratim të kushtëzuar për të negociuar me Greqinë, pasi Komisioni të jetë shprehur se ekzistojnë premisat për bisedime.

“Zgjedhja e duhur”

Zoti Tsipras ka kërkuar një votim të shpejtë në parlament, për të marrë mbështetje për një listë veprimesh paraprake, të cilat qeveria e tij duhet t’i ndërmarrë për të bindur kreditorët rreth synimeve të saj, dhe për të siguruar një fond fillestar.

Ish-ministri i financave Varoufakis, i cili armiqësoi shumë prej partnerëve evropianë, u shpreh se mbështet përpjekjet e Greqisë për të rinegociuar borxhin, por se nuk do të marrë dot pjesë në seancën parlamentare “për arsye familjare”.

Oferta më e fundit e Greqisë parashikon shkurtim të shpenzimeve, privatizime të aseteve shtetërore, si p.sh. portin e Pireut dhe aeroportet vendore, rritje të taksave për hotelet dhe restorantet, dhe heqjen e një pagese shtesë për pensionistët më të varfër.

Analisti i Commerzbank, Markus Koch, thotë se “JO”-ja e referendumit duket se është shndërruar prej zotit Tsipras në një “PO”.

Bankat greke vazhdojnë të jenë të mbyllura që më 29 qershor, kur u vendos kontroll mbi kapitalin dhe kufizime për tërheqjen e parave të thata, pas dështimin të bisedimeve të mëparshme. Greqia nuk pagoi dot një këst për FMN-në dhe tashmë përballet me një tjetër afat pagese ndaj BQE-së, më 20 korrik, pagesë të cilën nuk e kryen dot pa ndihmë.

Vendi ka marrë tashmë dy fonde shpëtimi prej 240 miliardë Eurosh nga Eurozona dhe FMN-ja, që nga viti 2010, por ekonomia e vendit është zvogëluar me 25%, papunësia është në mbi 25%, dhe një ndër dy të rinj grekë është i papunë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, u shpreh të premten në Uashingtoni se “jemi të kënaqur të shikojmë Greqinë të ndërmarrë këtë hap duke paraqitur një propozim konkret, por se tashmë është në duart e kreditorëve të japin vlerësimin e tyre.” za

Greqia në ankthin e pritjes

Qeveria greke ka paraqitur propozime të reja për reforma ekonomike, në përpjekje për të siguruar ndihmë të mëtejshme financiare nga kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Zyrtarë të Eurozonës kanë konfirmuar se kanë pranuar planin të enjten vonë, vetëm dy orë para afatit të mesnatës. Plani do të studiohet gjatë takimeve të Bashkimit Evropian në fundjavë.

Mediat greke thonë se ai përfshin reformat në pensione, privatizimin dhe shkurtimin e shpenzimeve të mirëqenies.

Greqia ka nevojë për paketën e tretë të ndihmës ndërkombëtare për të lehtësuar krizën me borxhe dhe për të shmangur daljen e mundshme nga Eurozona.

Në këmbim të reformave, Greqia kërkon lehtësimin e borxheve për miliarda euro dhe kredi shtesë në vlerë prej 53.5 miliardë eurosh.

Pas verifikimit nga ministrat e Financave të Eurozonës, 28 shtetet anëtare të BE-së, më 12 korrik, pritet të votojnë për planin.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka thënë se barra u bie zyrtarëve evropianë për të adresuar lutjet e Greqisë për lehtësimin e borxheve.

Gati të gjitha palët janë pajtuar se Greqia nuk do të jetë kurrë në gjendje që të paguajë mbi 300 miliardë dollarë borxhe. Ajo tashmë ka humbur afatin për një pagesë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili ka qenë kundërshtari më i zëshëm i lehtësimit të borxheve, ka thënë se mundësia e shlyerjes së një pjese të tyre do të diskutohet gjatë ditëve të ardhshme, por ka paralajmëruar se “hapësira për manovrim” është shumë e vogël.

Schaeuble këmbëngul se statuti i BE-së nuk lejon shlyerjen e drejtpërdrejtë të borxheve, kështu që Greqia mund të presë vetëm normë më të ulët të interesit dhe afat më të gjatë të pagesës.

Koncesionet e minutës së fundit nga kryeministri grek, Alexis Tsipras, vijnë në kohën kur sistemi financiar i Greqisë është në prag të kolapsit.

Bankat kombëtare janë të mbyllura që dy javë, ndërsa tërheqja e parave të gatshme është kufizuar vetëm në 60 euro në ditë.

Nëse Tsipras nuk siguron marrëveshje me kreditorët, Greqia përballet me kolaps pothuajse të pashmangshëm të sistemit bankar, i cili do të ishte hapi i parë drejt daljes nga Eurozona.

Mungesa e parave të gatshme dhe nevojat bazike, si barnat, duket se kanë bërë që publiku grek të jetë i gatshëm të pranojë një rreth të ri reformash, pavarësisht referendumit të javës së kaluar, në të cilin qytetarët kanë kundërshtuar masat shtrënguese nga BE-ja. (rel)

Merkel vlerëson borxhet e vendeve të Ballkanit

Vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian mund të arrijnë qëllimet e tyre pavarësisht krizës në Greqi, tha kancelarja gjermane Angela Merkel më 8 korrik, në fillim të turneut të saj në këtë rajon.

Merkel vizitoi Shqipërinë dhe Serbinë, aspiratat e të cilëve për tu anëtarësuar në BE janë komplikuar për shkak të krizës ekonomike në Greqi. Ajo do të vizitojë sot Bosnjen.

Gjatë qëndrimit në Serbi, Merkel e vlerësoi kryeministrin Aleksandar Vuçiq i cili është duke bërë fushatë për anëtarësimin e vendit të tij në BE, me gjithë kundërshtimin e fortë të bllokut nacionalist pro-rus, për pranimin e kërkesave shtrënguese nga kreditorët.

“Mendoj se kryeministri është duke ndjekur një politikë jo për shkak se ai dëshironë që të kënaq të gjithë jashtë Serbisë, por se është i bindur se sa më pak borxh, më pak borxh i ri, të çon në pagesa më të ulëta të interesit dhe të jep më shumë hapësirë për të investuar në të ardhmen”, ka thënë Merkel në Beograd.

Merkel vuri në dukje se zakonet e borxhit në vendet e Ballkanit ndryshojnë nga ato në Greqi. Athina është duke u përballur me falimentim për shkak të borxhit prej 380 miliardë dollarësh.

Kancelarja gjermane tha se rasti i Greqisë, duhet të jetë mësim për të tjerët.

“Unë mendoj se ne nuk po shohim se gjërat në Greqi janë duke pasur sukses për momentin”, tha ajo.

“Ne kemi një situatë tjerë këtu (në Serbi), ku qeveria po ndjek me bindje një rrugë e cila nuk është e lehtë, por e cila- ashtu si në Irlandë, Portugali dhe Spanjë- ka sukses. Unë jam e bindur për këtë gjë”, tha ajo.

Pavarësisht kësaj Merkel ka thënë se stabiliteti në Ballkan vazhdon të jetë qenësor për BE-në dhe ajo beson se përpjekjet për tu bashkuar në BE, do të ndihmojnë në promovimin e stabilitetit.

“Është në interesin tonë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të kenë prespektivë evropiane.”, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel. rel

Merkel në Beograd: B.E. mundëson paqen në Ballkanin Perëndimor

VOAL – Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se gatishmëria për kompromis në bisedimet me Prishtinën do të merret parasysh kur të vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se gatishmëria për kompromis në bisedimet me Prishtinën do të merret parasysh kur të vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se gatishmëria e Serbisë për kompromise me Kosovën do të merret parasysh kur te vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim të saj në Bashkimin Evropian.

Kanclerja Merkel, tha se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mundëson paqen në Ballkanin perëndimor

“Ne në vitin 2003 u kemi hapur mundësinë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është në interesin e ndërsjellë si për Ballkanin Perëndimore si për BE-në që ka 28 vende anëtare. Në interesin tonë është paqja në Ballkanin Perëndimor dhe BE-ja e mundëson këtë. Dua të falënderoj kryeministrin e Serbisë që ka ndërmarrë nisma dhe ka nxitur qëndrueshmërinë në rajon. Me bisedimet me Prishtinën, Beogradi ka dëshmuar gatishmëri për kompromis dhe kjo do të merret parasysh kur të vendoset për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim”, tha ajo.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të përafrimit me BE-në. Ajo përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim, por diplomatët evropian thonë se hapja e kapitujve për këtë çështje varet nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura në atë proces.

Kancelarja Merkel e cila shkoi në Beograd nga Tirana, vlerësoi gatishmërinë për bisedime ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Cilësia e re e kontakteve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë shihet në vizitat e kryeministrave që ishte e pamundur para disa vjetësh. Kjo duhet të vazhdojë”, tha mes tjerash kancelaria Merkel, e cila tërhoqi vërejtjen se Serbia ka ende shumë punë për të bërë.

“Sfidë e re për Serbinë është edhe vala e migrimeve. Migruesit po hyjin nga Greqia dhe Serbia është bërë vend tranzit”, tha ajo duke nënvizuar gatishmërinë për të ndihmuar lehtësimin e barrës së migruesve dhe refugjatëve që po shfrytëzojnë Ballkanin si rrugë drejt Bashkimi Evropian./ZA

Debate të forta për Srebrenicën në Serbi

Kryeministri i sotëm serb Aleksander Vuçiq ngjiste para dhjetë vjetësh pllakata me emrin e Ratko Mlladiçit rrugëve të Beogradit. Përpara kamerave ai mbështeste kështu në mënyrë simbolike ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës, i cili duhet të përgjigjet në gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi për akuza për gjenocid. Në korrik të vitit 1995, ushtarët dhe paramilitarët serbë ekzekutuan rreth 8 000 djem e burra myslimanë në ish-zonën e sigurt të Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë. Masakra klasifikohet sipas juridiksionit ndërkombëtar si gjenocid.

“Nderim për viktimat e pafajshme”

Për këtë përcaktim u debatuar fort në Serbi javët e fundit. Edhe kryeministri Vuçiq, i cili e ndryshoi partinë dhe politikën e tij shtatë vjet më parë dhe erdhi në pushtet si përkrahës i BE-së, refuzon ta përdorë fjalën “gjenocid” në këtë kontekst. “Pikëpamja mbizotëruese në Serbi është se ajo ishte vërtetë një masakër dhe krim lufte, por në asnjë mënyrë gjenocid,” thotë redaktori Filip Švarm nga e përjavshmja Vreme, e cila mban qëndrim kritik ndaj qeverisë. Ende asnjë politikan i vetme i qeverisë nuk e ka përdorur në Serbi termin ‘gjenocid’ – pavarësisht përkatësisë partiake.

Për vite të tëra, përfaqësuesit e politikës dhe të drejtësisë serbe e kishin të vështirë t’i nxirnin përpara drejtësisë personat përgjegjës për krimet. Pas presionit masiv nga BE-ja, u arrestuan në vitin 2008 dhe 2011 ish-presidenti i Republika Srpska në Bosnje, Radovan Karaxhiç, i cili jetonte nën një identitet të rremë në mes të Beogradit dhe punonte edhe si mjek për mjekësi alternative. Dhe gjenerali Ratko Mlladiç, i cili u gjet në një fshat në veri të Serbisë. Shumë vëzhgues besojnë se ata të dy për një kohë të gjatë i mbështetnin dhe ndihmonin qarqe serbe të sigurisë. Arrestimet shkaktuan protesta të dhunshme në kampin e nacionalistëve.

Serbischer Ministerpräsident Aleksandar Vucic Kryeministri serb Aleksander Vuçiq

Sot nga këto gjëra ndjehet fare pak. Në një konferencë për shtyp kryeministri Vuçiq tha se ishte i gatshëm të përkulet për të nderuar viktimat e pafajshme të Srebrenicës. Por njeriu i fortë i Beogradit e mendoi gjatë nëse vërtetë duhet të shkojë në Srebrenicë për 20 vjetorin e masakrës më 11 korrik. Qeveria e tij e refuzon rezolutën e propozuar në OKB nga Britania e Madhe për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë. Këtu Beogradi mbështetet në marrëdhëniet e tij të mira me Moskën, sepse Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund ta bllokojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Nga vrasës në viktima”?

Asnjë politikan serb nuk duhet të shkojë në ceremonitë përkujtimore në Srebrenicë – ky qe synimi i një peticioni të nënshkruar nga qindra studentë nga Serbia dhe Republika Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë. Nismëtari i peticionit studenti nga Beogradi Nenad Uzelac, thotë se i gjithë populli serb konsiderohet sikur ka bërë “gjenocid”. Por sipas tij në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, sepse gratë, fëmijët dhe të moshuarit nuk i kanë vrarë.

Shkrimtari dhe bloggeri Vladimir Tabašević thotë se nuk habitet që në Serbi ka ende njerëz që mendojnë kështu. Të dyja palët përpiqen ta instrumentalizojnë Srebrenicën duke i paraqitur serbët si “populli i vrasësve” dhe myslimanët si “populli i viktimave”. “Politika ndërton një antagonizëm të gabuar, sepse kështu shmang pyetjet për vende pune dhe për bukë.” Por disa aktivistë në Serbi janë të bindur se pa përballjen me të kaluarën nuk mund të shikosh drejt së ardhmes.

E diela, afati i fundit për Greqinë

Udhëheqësit europianë, mbyllën takimin e mbrëmshëm të nivelit të lartë, ende pa ndonjë rezultat, ndërsa kryeministri grek Aleksis Tsipras, nuk paraqiti një plan konkret reformash, i cili do të duhet të dorëzohet brenda ditës së nesërme. Dita e dielë do të jetë afati i fundit për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti i Këshillit europian Donald Tusk deklaroi mbrëmë se “realiteti kokëfortë është se kemi vetëm 5 ditë për të arritur një marrëveshje. Deri tani kam evituar të flas për afate. Por sonte dua të them me zë të lartë dhe të qartë se afati i fundit skadon këtë javë. Ne të gjithë jemi përgjegjës për krizën dhe të gjithë kemi përgjegjësinë për ta zgjidhur atë”, nënvizoi Tusk.

Të dielën propozimet e pritshme greke do të duhet të diskutohen në takimin e nivelit të lartë ku siç njoftoi kancelarja Merkel “do të marrin pjesë të 28 vendet anëtare të Bashkimit europian, jo vetëm ata të eurozonës, ndërkohë që Banka qendrore europiane, deri atëherë do të mbajë në jetë bankat greke”.

Presidenti i Komisionit europian Jean Claude Juncker nënvizoi se “jemi të përgatitur për të gjithë skenarët, për Grexit, për ndihma humanitare ndaj Greqisë si dhe për qëndrimin e Greqisë në euro, i cili është dhe skenari që preferoj”, tha ai. Kryeministri grek Tsipras u mundua të qetësojë. “Propozimi i ri përfshin reforma të besueshme. Diskutimi ka qenë pozitiv dhe do të duhet të përmbyllim gjithçka brenda së dielës”, u shpreh ai.

NJË DITË BISEDIMESH INTENSIVE

Të martën, ministrat evropianë të financave u mblodhën në Bruksel për një takim të ngutshëm, ku qeveria greke pritej të bënte propozime të reja për të siguruar një marrëveshje ndihme dhe për të shmangur daljen e vendit nga Eurozona.

Eurogrupi ishte mbledhja përgatitore për një takim të krerëve të vendeve të Eurozonës, i planifikuar për sonte, në të cilën Kryeministri grek Aleksis Tsipras duhet të bindë të 18 udhëheqësit e tjerë.

Shumë prej këtyre udhëheqësve janë të lodhur me pesë vitet e krizës greke, për të autorizuar një kredi të re shpëtimi. Përballja e sotme mund të përcaktojë gjithashtu nëse bankat greke do të rihapen gjatë kësaj jave, apo do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Kreu i Eurodrupit Jeroen Dijsselbloem tha se tani për tani nuk ka pasur propozime të reja nga ministri grek, dhe hapi i parë do të jetëqeveria greke t’i dërgojë Eurogrupit një kërkesë të re.

Trysnia mbi Athinën është rritur, ndërkohë që një nga huadhënësit e saj kryesorë, Banka Qendrore Evropiane, ka vendosur të mos e rrisë sasinë e fondeve emergjente për bankat greke. Pa ndihmë nga jashtë, këto banka pritet të mos kenë më para të mërkurën, në një kohë që Greqia përsëri nuk do të jetë në gjendje të shlyejë pagesën ndaj kreditorëve evropianë këtë muaj.

Në deklaratat e tyre ministrat e financave ishin të ndarë lidhur me qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj Greqisë.

Ministri gjerman, Wolfgang Scheuble:

“Pa një program, nuk është e mundur të ndihmohet Greqia në kuadrin e Eurozonës. Sigurisht BE-ja ka detyrime për ta ndihmuar Greqinë, por ajo që ne po presim me padurim është një vendim nga qeveria greke.”

Ministri finlandez, Alexander Stubb:

“Jo, nuk jemi të gatshëm ta lehtësojmë borxhin grek. E bëmë këtë në vitin 2011 dhe përsëri në 2012. Mendoj se koha po mbaron, afati i fundit është 20 korriku.”

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker i tha sot Parlamentit Evropian se qeveria greke duhet të dalë me propozime për të zgjidhur krizën e borxhit.

“Topi është në fushën e qeverisë greke dhe qeveria greke duhet të shpjegojë në Bruksel sot, se si e sheh daljen nga kjo gjendje. Presidenti i Komisionit Evropian dhe Komisioni Evropian janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë që të nevojshme në një afat kohor të arsyeshëm për të arritur një marrëveshje.”

Zoti Juncker tha se është kundër atyre të cilët bëjnë thirrje që Greqia të detyrohet të dalë nga Eurozona, por kritikoi gjithashtu autoritetet e Athinës për retorikën që kanë përdorur.

“Nxjerrja e Greqisë nga bashkimi monetar madje nga Bashkimi Evropian nuk është diçka që ne e dëshirojmë. Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë për një hapje të vërtetë negociatash me Greqinë,” tha zoti Juncker.

Komisioneri i BE-së për ekonominë, Pierre Moskovici tha se një dalje e Greqisë nga Euroja do të ishte një dështim i tmerrshëm, kolektiv.

“Presioni është sidomos mbi grekët, bankat janë të mbyllura dhe situata është e vështirë. Mendoj se qeveria greke ka interes të dalë sa më shpejt me zgjidhje serioze dhe të besueshme.”

Bankat greke qëndruan sot të mbyllura për të nëntën ditë. Disa njerëz të intervistuar në rrugët e Athinës thonë se do të përpiqen të jenë të durueshëm, ndërsa kryeministri i tyre negocion për një marrëveshje në Bruksel.

“Do të ishte një mrekulli nëse bankat hapen për dy ditë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë. Duhet një periudhë kalimtare në mënyrë që bankat të mund të rifitojnë besimin e popullit, që njerëzit të mos vërsulen për të kërkuar paratë,” thotë inxhinieri Pavlos Kristou.

“Nuk dua të them diçka të keqe. Unë e dua vendin tim. Për fat të keq qeveria e ka sjellë vendin në prag të shkatërrimit. Të shkretët të rinjë që jetojnë me pensionet e prindërve. Çfarë do të ndodhë me këta fëmijë të varfër?” thotë Nikos.

Nëse bankat greke mbeten pa para dhe vendit do t’i duhet të shtypë monedhën e vet, kjo mund të çojë në daljen e Greqisë nga Euroja dhe ajo do të ishte vendi i parë që do ta bënte këtë duke krijuar një precedent dhe duke ngritur dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë afatgjatë të bashkimit monetar evropian.

Pas referendumit Putini i telefonon Ciprasit – Më ke mua

 

UPDATE/Presidenti grek Aleksis Cipras ka pritur një telefonatë nga presidenti rus Vladimir Putin. Mediat greke raportojnë se telefonata ka qenë kërkesë e Putinit dhe është mbajtur në pushim të takimit të sotëm të Cipras në Bruksel.

Pjesë e bisedës, si referojnë mediat, por edhe konfirmuar nga Kremlini, ka qenë rezultati i referendumit grek.

Sipas të njëjtave burim, Putin i shprehu Csiprasit mbështetjen për popullin grek “për kapërcimin e vështirësive.”

Nuk thuhet asgjë nëse pjesë e bisedës të ketë qenë mundësia lidhur me ndonjë ndihmë financiare nga Rusia.

Më herët mediat folen për nënshkrimin e një marrëveshje të mundshme të energjisë në mes të dy vendeve.

Me heret Cipras vizitoi Moskën ku foli me Putin mbi krizën greke dhe pjesëmarrjen e të dy vendeve në projektin e gazsjellesit rus ne Evropë nëpërmjet Turqisë.

ora 12.30 

Porta mbetet ende e hapur, por pas rezultatit të referendumit “per momentin nuk ka alternativa të reha për programin e ndihmës”. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert, gjatë një konference për shtyp nga Berlini.

Një ditë pas JO pa hezitim të grekëve, fjalë të rënda vijnë edhe nga anëtari  bordit të BQE-së, Christian Noyer.

06:30 
Ministri i Financave të Greqisë, Yanis Varoufakis ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga posti që mbante. Vendimi vjen vetëm disa orë pasi populli grek i tha prerë e qartë JO masave shtrënguese të kreditorëve, përmes referendumit të 5 korrikut.


Lajmin e ka bërë me dije vetë Ministri përmes twitterit, ku shkruan: “ Sot po lë Ministrinë e Financave greke”.

Sipas tij, dorëheqja mendon do t’i shërbejë arritjes së një marrëveshje me Eurogrupin, duke qenë se vetë kreu i financave ka pohuar se prania e tij në takime nuk ka qenë shumë e dëshiruar.

Dorëhiqet kreu i opozitës, Antonis Samaras. Rreth 60 % e grekëve votuan ‘Jo’ ndaj masave të kreditorëve 

UPDATE/ Pas mbylljes së votimit për referendumin, grekët duket se i kanë thënë “Jo” masave shtrënguese të kreditorëve dhe kërkojnë një tjetër marrëveshje.

Ora 23:00
Me publikimin e rezultateve të para, lideri i opozitës në Greqi, Antonis Samaras, dha dorëheqjen. Para votimit të së dielës, Samaras kishte kërkuar që grekët të votonin për “Po”, ndaj masave shtrënguese të kreditorëve.

Ora 21:00
Mediat ndërkombëtare thonë se sipas rezultateve të para, rreth 60 për qind e grekëve ka votuar për “Jo” në referendumin e së dielës, ndërsa zyrtarët e Qeverisë janë gati për të kërkuar para për bankat e tyre. Mësohet se përfaqësues të qeverisë greke kanë thënë se janë gati për një marrëveshje edhe brenda 48 orëve. Po sipas mediave ndërkombëtare, kancelaria gjermane, Merkel pritet të zhvillojë një takim ditën e hënë me presidentin francez, Holande, ku në fokus të bisedimeve do të jetë situata në Greqi pas votimit.

Ora 19:00
Ka përfunduar orari zyrtar i votimit për referendumin e së dielës në Greqi. Sipas sondazheve të publikuara në televizionet greke, votat për “Jo” ndaj masave shtrënguese janë në avantazh ndaj atyre grekëve që kanë votuar me “Pro”.

Sipas televizionit ATN1, rezulton se 51 për qind e grekëve është shprehur për “Jo”, ndërsa 37 për qind janë thënë “PO”. Po kështu televizioni “Mega” thotë se me “Jo” janë shprehur 51.5 për qind e votuesve, ndërsa me “JO”, vetëm 48.5 për qind.

Një tjetër sondazh i kryer nga “Skai” thuhet se 52 për qind mbështesin “Jo”, dhe 48 “Po”.

Sipas mediave në Greqi, pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 65 për qind, mëse e vlefshme për të kaluar kuotën 40 %, që referendumi të quhet i vlefshëm.

Kryeministri grek duke votuar

Ora 10:00

Miliona grekë janë drejtuar ditën e sotme drejt kutive të votimit në referendumin që pritet të përcaktojë të ardhmen e Greqisë dhe krizës së saj.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit me orën lokale dhe do të mbyllen pasdite. Qeveria greke ka bërë edhe sot thirrje për të votuar kundër propozimeve të kreditorëve.

Por opozita greke thotë se një votë kundër propozimeve do të thotë votë kundër BE-së, çka do ta nxjerrë Greqinë nga Eurozona dhe BE-ja.

E veçanta e këtij referendumi është se grekët vetë janë të ndarë mes votës kundër dhe pro. Diferenca është e ngushtë dhe këtë e tregojnë edhe sondazhet.

Ciprasi është parë të votojë në një nga qendrat e votimit në Athinë, po ashtu edhe Presidenti grek.  Liderët e qeverisë së SYRIZA-s i kanë kritikuar kushtet e ndihmës financiare duke i cilësuar si poshtëruese.

Ata refuzojnë që të ndërmarrin masa shtrënguese. Por nga ana tjetër, kreditorët paralajmërojnë se një votë kundër propozimeve të tyre do ta çojë Greqinë në kolaps, pasi do të ndërpriten financimet emergjente të bankave greke, çka e nxjerr Greqinë nga Eurozona.

Ndërkohë ministri gjerman I financave Uolfgang Shojble, një prej kritikëve më të ashpër ndaj Greqisë tha dje se nëse do të vendoset për largim nga eurozona, kjo do të jetë e përkohshme. Gjithsesi, sipas tij, vetëm grekët mund ti përgjigjen kësaj pyetje.

Merkel: Fjalë inkurajuese në prag të vizitës në Ballkan

Kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) e sheh perspektivën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. «Megjithë vështirësitë, që ende kemi, ka përparime», tha Merkel katër ditë para udhëtimit të saj dyditor për në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë në një mesazh të shkurtër në video. Vetëm perspektiva e pranimit mund të sjellë zgjidhjen e konflikteve mes vendeve të rajonit.

Shqipëria ka ende shumë për të bërë

Edhe Shqipëria ka ende shumë për të bërë, por gjithsesi vendi ka statusin e vendit kandidat për BE. “Në përgjithësi mund të thuhet se kemi bërë progres, por ka akoma shumë, shumë probleme të mëdha”, pohoi Merkel.

Edi Rama dhe Angela Merkel Edi Rama dhe Angela Merkel

Kjo gjë mund të thuhet veçanërisht për Bosnjë-Hercegovinën, e cila nuk ka paraqitur ende kërkesën për anëtarësim, për shkak të stanjacionit të situatës politike. Kroacia dhe Sllovenia janë dy shtete të ish Jugosllavisë të anëtarësuar tashmë në BE, “ku gjithçka ecën me shumë sukses”, tha Merkel.

Kusht raportet e Serbisë dhe Kosovës

Me Serbinë janë hapur disa kapituj të bisedimeve për pranim, por jemi akoma në fillimet. Për kancelaren zgjerimi i bisedimeve varet edhe nga përparimet në raportet e Serbisë dhe Kosovës. “Ne përfshijmë këtu edhe masat në lidhje me Kosovën, me qëllim që të dyja palët të përpiqen me të vërtetë për të ecur përpara”, theksoi Merkel. “Ka akoma jashtëzakonisht shumë për të bërë, por ka me të vërtetë shenja të kënaqshme. Dhe ne insistojmë që ky proces të përshpejtohet.”

Fluksi i refugjatëve nga Ballkani

Temë e vizitës së Merkelit do të jetë edhe fluksi i pandërprerë i refugjatëve nga Ballkani për në Gjermani. Kancelarja bëri të ditur se ajo do të prekë edhe gjendjen e vështirë të romëve në Serbi. Serbia ka ndërmarrë një sërë masash, “që zbusin si të thuash diskriminimin e romëve, edhe pse duhet thënë qartë, se ka ende diskriminim.”

Merkel mbrojti edhe kategorizimin e Serbisë si shtet të sigurtë origjine. Për këtë flet ndër të tjera fakti, se në Gjermani nuk pranohet gati asnjë kërkesë për azil nga Serbia. Edhe Britania e Madhe, Franca dhe shtete të tjera evropiane e kanë shpallur Serbinë shtet të sigurtë origjine.

Arminka Heliq, Baronesha që po e tmerron Serbinë

Baronesha me prejardhje boshnjake dhe njëra nga shtatë baroneshat e vetme në Dhomën e Lordës , po konsiderohet si iniciatorja e rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës, e cila pritet të sillet për votim në KS të OKB-së, së shpejti. Nëse ajo miratohet, vaj halli për Serbinë. Heliq di shumë për Bosnjën dhe Ballkanin, ndërsa ka këshilluar William Haguen kur ku ka qenë minsitër i jashtëm dhe kur është marrë me rajonin tonë. Ajo i ka dhënë shumë leksione edhe Angelina Joelit kur kjo e bëri filmin e saj për luftën e Bosnjës. Për krejt këto, Heliq po llogaritet si gruaja e cila është duke e tmerruar Serbinë

arminka_heliq

 

Serbia është duke u dridhur nga frika këto ditë. Dhe nuk janë vetëm bisedimet e vështira me Prishtinën në Bruksel, që mbahen nesër, e ku Beogradit pritet t’i kërkohet të lëshojë pe në shumë gjëra, arsye për këtë.

Ndoshta më e rëndë se çështja e Kosovës, për Serbinë, është rezoluta për gjenocidin e Srebrenicës, që pritet të sillet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga Britania e Madhe, së shpejti.

Nëse ajo kalon, atëherë Serbia dhe serbët do të identifikohen si shteti dhe kombi që kryen gjenocid, duke e bërë vetën epiqendër të imazhit më të keq të mundshëm ndërkombëtar, për shkak të autorësisë së krimeve më të rënda të mundshme të luftës, ndaj boshnjakëve myslimanë.

E kjo rezolutë, ka për iniciatore një autore të fshehtë, emri i të cilës nuk u bë i ditur deri dje.

Newsweek e Beogradit pretendon se e gjeti atë. Bëhet fjalë për Arminka Helicq një baroneshë misterioze me prejardhje boshnjake. Ajo është vetëm njëra nga gjithsej shtatë femrat në dhomën e lordëve të parlamentit britanik.

Ajo besohet se pati ndikim të madh pse Londra vendosi ta propozojë rezolutën për gjenocid të Srebrenicës.

Heliq ka njohuri të shumta për luftën e Bosnjës dhe masakrën e Srebrenicës, duke qenë se ka qenë e përfshirë në disa forma në këtë luftë.

Për shkak të njohurive  të saj, ajo, më 1998, u angazhua nga konservativët si eksperte e Ballkanit. Më vonë arriti të shndërrohet në “njërën nga ekspertët me impresivë të politikës së jashtme në qeveri”.

Për shkak të angazhimit të madh, por diskret, kryeministri David Cameron e nominoi atë për Dhomën e Lordëve. Më 2014 Heliq u emërua baroneshë (pa të drejtë trashëgimie familjare), nga mbretëresha Elizabetë, për shërbimet e shumta ndaj mbretërisë. Kjo i mundësoi asaj që me 24 nëntor 2014 të bëhet pjesë e Dhomës së Lordëve, si e treta femër myslimane që mbërrin këtu nga kampi konservativ.

Heliq aktualisht është duke e këshilluar liderin e Dhomës së Përfaqësuesve në parlamentin britanik, Willuam Hague. Për të, më herët ka punuar edhe si shefe e kabinetit, derisa ai ishte sekretar shteti.

Ajo njihet edhe si bashkëpunëtore e ngushtë e aktores Angelina Jolie. Kjo e fundit, që bëri edhe film për luftën e Bosnjës, e ka quajtur Heliqin si mentore të saj, duke qenë se i ndihmoi shumë për ta kuptuar situatën në Bosnjë. /Klan Kosova

Në Greqi turizmi i tronditur nga situata kaotike

Turizmi duket se është prekur nga situata kaotike financiare në Greqi. Ndërkohë vetë grekët janë të zemëruar me politikanët që e kanë çuar vendin në këtë situatë.

Sheshi Monastiraki në Athinë, është një destinacion i njohur për turistët. Por disa ditë pas mospagimit të borxhit nga Greqia, pronarët e bizneseve në Athinë po vërejnë ndryshim.

“Fatkeqësisht gjatë ditëve të fundit numri i turistëve ka rënë. Është si në janar. Nuk ka shumë njerëz në rrugë. Duket si dimër. Ajo që dëgjojmë nga fqinjët dhe pronarët e hoteleve është se rezervimet janë anuluar për javët në vazhdim. Duke se ky sezon ka qënë i varfër.”

Të martën, Greqia nuk pagoi këstin e borxhit ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria vendosi kontrolle mbi kapitalin duke kufizuar tërheqjet nga banka deri në 60 euro në ditë.

Kjo, thotë pronari i restorantit Spiros Bairaktaris, po i mban larg klientët.

“Sapo filloi sezoni, bankat u mbyllën dhe më pas ndodhi gjithë kjo kështu që numri i turistëve ka rënë. Klientët hezitojnë. Të gjithë duket se presin të ndodh diçka.”

Disa turistë të huaj e njohin mirë kontrollin e kapitalit.

Argjentina u detyrua ta vendoste atë në vitin 2002 dhe përsëri një dekadë më pas.

Këta argjentinas që po vizitojnë Athinën janë të detyruar të përdorin dollarë në vend të monedhës së tyre.

“Ne jemi mësuar me këtë në Argjentinë. Kemi kaluar këto momente të tmerrshme. Më duket se njerëzit këtu nuk janë aq të friksuar sa ç’jemi ndjerë ne.”

“Ne ishim tre vjet pa banka. Nuk mund të tërhiqje paratë e tua, asgjë.”

Turistët ende shkojnë në Greqi.

Ata që janë tashmë aty thonë se nuk janë prekur shumë nga kriza e tanishme ende.

“Nuk kemi patur probleme. Erdhëm sot në Athinë dhe nuk jemi përballur me asnjë problem.”

Greqia ende shpreson për një kompromis. Shpresat u rritën të mërkurën për një marrëveshje, vetëm për t’u shuar përsëri.

Kryeministri Alexis Tsipras po bën fushatë për një votë JO për kushtet e shpëtimit të propozuara nga kreditorët në referendumin e të djelës.

“‘JO’ do të thotë presion i fuqishëm për një marrëveshje ekonomike të qëndrueshme që jep zgjidhje për borxhin tonë dhe nuk e rrit atë duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në ngritjen e ekonomisë dhe shoqërisë greke.”

Kryetari i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, foli pas një telekonference me  ministrat e financave të BE-së.

“Duke pasur parasysh situatën politike, refuzimin e propozimeve të mëparshme, referendumin i cili do të mbahet të dielën dhe këshillën e qeverisë greke për një votë “JO”, ne nuk shohim asnjë bazë për bisedime të mëtejshme në këtë pikë.”

Greqia dhe kreditorët janë po aq larg marrëveshjes sa ç’ishin në fillim të negociatave. Një JO në referendum pritet komplikojë më tej dhe jo ta lehtësojë situatën.

Greqia, propozim të minutës së fundit

Greqia e zhytur në borxhe bëri një propozim të minutës së fundit tek kreditorët ndërkombëtarë të martën për të mënjanuar falimentimin.  Ministrat e financave të Eurozonës  thanë se do ta shqyrtojnë propozimin në një tele-konferencë në mbrëmje.

Athina e bëri ofertën vetëm disa orë para skadimit të paketës së ndihmave në mesnatë, edhe pasi qeveria kishte thënë paraprakisht se nuk do të bënte pagesën e këstit prej 1.8 miliardë dollarësh tek Fondi Monetar Ndërkombëtar të martën.

Hollësitë e ofertës së re janë të paqarta, por zyra e kryeministrit Alexis Tsipras tha se qevera po propozon një marrëveshje dy vjeçare që do të përmbushë të gjitha nevojat financiare të vendit “duke pakësuar në të njetën kohë edhe borxhin”.

Shefi i Eurozonës Jeroen Dijsselbloem tha se ministrat e financave të bllokut prej 19 vendesh anëtare do të diskutojnë propozimin grek gjatë një telekonference të martën në mbrëmje.

Nuk është e qartë sesi do të reagojnë miminstrat e financave ndaj planit grek.

Në Uashington, presidenti Barack Obama tha se kriza financiare e Greqisë “është një çështje shumë shqetësuese” por më shumë për Evropën sesa për Shtetet e Bashkuara. Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se trazirat financiare do të rezultojnë në një tronditje të madhe të ekonomisë amerikane, më e madhja në botë.

Greqia dhe kreditorët e saj janë angazhuar në negociata disa javore, me bisedimet që përfunduan fundjavën e kaluar kur zoti Tsipras shpalli mbajtjen e një referendum për të lejuar popullin të vendosë nëse do t’i pranojë apo jo kërkesat e fundit të masave shtrënguese në këmbim të huave të reja.

Zoti Tsipras bëri thirrje për një votë “JO” , megjithëse udhëheqësit evropianë thanë se kjo do të çonte në tërheqjen e Greqisë nga Eurozona dhe drejt një divorci politik me Evropën.

Deri në momentin që Athina bëri një ofertë të minutës së fundit, dukej se ajo po shkonte drejt një mospagimi të këstit të FMN-së.  Bankat greke vazhduan të jenë të mbyllura të marten ashtu si edhe tregu i aksioneve.

Ndërsa e ardhmja financiare e vendit duket e pasigurtë, ministria greke e financave tha se do të hapë gati 1 mijë banka në mbarë vendin për të lejuar pensionistët pa karta krediti të tërheqin para të mjaftueshme për një javë.

BANKA BOTËRORE – GREQIA RREZIK PËR VENDET E RAJONIT

Banka Botërore ngre shqetësimin e infektimit të ekonomive të Shqipërisë dhe rajonit te Ballkanit nga kriza greke.

Në raportin e Perspektivës Globale, publikuar së fundmi, Banka Botërore thekson se “presioni ekonomik e financiar në Greqi paraqet një rrezik shtesë për parashikimet e rajonit, pavarësisht se ekspozimi i vendeve të tjera të Eurozonës është ulur që nga viti 2010“.

Sipas raportit, sistemi Bankar në Shqipëri, Bullgari, Maqedoni, Serbi dhe Rumani, mbetet i pambrojtur përmes degëve të konsiderueshme të bankave greke.

Mes këtyre vendeve, raporti dallon Shqipërinë dhe Bullgarinë ku bankat me kapital grek përbëjnë 18% të totalit të bankave dhe 23%, duke paraqitur rrezikun e përhapjes së ndikimit të sistemit financiar grek edhe në këto vende.

Pas Bankave, raporti përmend remitancat [të ardhurat nga emigrantët] si një faktor në rrezik, duke saktësuar se Shqipëria merr dërgesa nga emigrantët në Greqi sa 3.7% e prodhimit te brendshëm bruto.

Por Banka e Qendrore e Shqipërisë përjashton mundësinë e transmetimit të krizës greke përmes sistemit bankar.

Klodian Shehu, drejtor i Departamentit te Stabilitetit Financar pranë Bankës së Shqipërisë, thotë se bankat me kapital grek në vend kanë mbyllur pothuajse tërësisht dy kanalet e mundshme të transmetimit të krizës: së pari, ato nuk marrin hua nga bankat greke dhe së dyti, nuk po financojnë borxhin grek.

Por zoti Shehu nuk përjashton mundësinë e ndikimit, e cila sipas tij do të duket tek tregtia e investimet.

Ndërsa, në një njoftim për mediat, Shoqata Shqiptare e Bankave siguroi se zhvillimet në vendin fqinj nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri.

Sistemi bankar shqiptar, ku përfshihen edhe bankat me kapital grek, është financiarisht i pavarur nga sistemet bankare në vende të tjera, shpjegon shoqata.

Në një njoftim për shtyp, theksohet se “të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarura ligjore. Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj”.

Shoqata përjashton mundësinë që masat e marra nga qeveria apo banka qendrore Greke të kenë ndonjë efekt ligjor në Shqipëri.

Bankat greke do të qëndrojnë të mbyllura deri në datën 5 korrik. Në këtë datë grekët do të vendosin me referendum nëse pranojnë ose jo, paketën e shpëtimit të kreditorëve ndërkombëtarë.

Afati i pagimit të këstit të radhës së Greqisë ndaj kreditorëve, përfundon sot, në 30 qershor. rel

Xhihadistët e ISIS kanë arritur në Serbi, këto janë qytetet objektiv i tyre

Çdo tubim masiv i njerëzve mund të jetë një objektiv. Këtu, kryesisht duke iu referuar ngjarjeve të ndryshme, sportive, argëtues e të tjera, ku do të kishte përqendrim të madh të njerëzve, thonë ekspertë të sigurisë në Serbi.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka vendosur dje që të rris nivelin e sigurisë në pikën më të lartë, bazuar nga të dhënat operative të mbledhura nga shërbimet e sigurisë, të cilat kanë ngritur alarmin për mundësinë e sulmeve terroriste në këtë vend, transmeton lajmi.net.

Sipas këtyre të dhënave, terroristët kanë mbërritur tashmë në Serbi dhe rreziku i sulmeve është shumë i madh, sidomos në tubime të mëdha publike, siq janë festivalet muzikore, panairet apo tubime të tjera, në qytetet e mëdha, si Beograd, Novi Sad dhe Nish.

Analisti ushtarak Aleksandar Radiq i ka thënë gazetës serbe “Kurir” se ISIS zhvillon një fushatë të zgjeruar, më shumë me qëllime të një lufte propagandistike, dhe ky qëllim është konfirmuar edhe nga Miroslav Lazansky i cili thotë se tubimet publike lehtë mund të bëhet një objektiv i terroristëve.

“Çdo tubim masiv i njerëzve mund të jetë një objektiv. Këtu, kryesisht duke iu referuar ngjarjeve të ndryshme, sportive dhe ngjarje argëtuese, ku ka një përqendrim të madh të njerëzve”, ka thënë ai.

Policia serbe ka rritur shkallën e sigurisë, jo vetëm në rrugë, por edhe pranë pallatit të Presidentit, ndërtesave të qeverisë dhe edhe te Prokuroria Speciale, ku shihen policë që bëjnë roje me pushkë të gjata.

Serbia zbulon monumentin e terroristit Gavrilo Princip

VOAL – BEOGRAD – Serbia ka zbuluar monumentin e Gavrilo Princip, vrasësit të princit të kurorës së Astro-Hungarisë, Franz Ferdinand në Sarajevë, ngjarje kjo që ndihmoi në fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Princip, një nacionalist serb i Bosnjes, akoma provokon kundërthënie në Ballkanin e ndarë etnikisht.

Qindra serbë morrën pjesë në ceremoninë e zbulimit të këtij monumenti, e cila u mbajt në Beograd më 28 qershor, pikërisht në datën e njëjtë kur ndodhi vrasja më 1914.

Në këtë ditë është edhe festa kombëtare e serbëve, Vidovdani.

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq e ka përshkruar Princip si një hero. Ndërkaq jashtë shtetit serb, Princip cilësohet si terrorist.

Ai tha se “Princip është një simbol i idesë së lirisë”.

S&P – GREQIA I FUNDOS EDHE VENDET E TJERA TË EVROPËS JUGLINDORE

VOAL – Standard and Poor’s paralajmëroi të mërkurën se ajo mund të zhvlerësojë renditjen e kredisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Serbisë në rast se telashet e Greqisë do të përhapen në sistemin e tyre bankar, shkruan Reuters.

Bankat greke zotërojnë banka të rëndësishme në këto shtete të Europës Juglindore dhe shqetësimi është se në rast se Athina do të detyrohet të dalë nga eurozona, huadhënësit e saj mund të falimentojnë, me një efekt domino në degët e tyre.

Në rast se qeverive të ndryshme do të duhet tu shpëtojnë ato, kjo do të dëmtonte financat kombëtare dhe perspektivën afatgjatë të rritjes.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë për bankat,” tha S&P në një raport. “Në rast se një mbështetje e tillë do të dobësojë parametrat fiskalë dhe të borxhit të qeverisë, kjo mund të ndikojë negativisht në renditjen e tyre kombëtare.”

Banka greke Alpha Bank ka përhapjen më të madhe gjeografike në rajon, me degë në Rumani, Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni. Eurobank Ergasias dhe Piraeus Bank janë të dyja në Rumani dhe Bullgari dhe e fundit është gjithashtu në Serbi dhe Shqipëri.

S&P tha se bankat mund të kontrollojnë degët e tyre për asetet e tyre më të mira, në një përpjekje për mbijetesë dhe përpjekjet e bankës qendrore për të ngritur kontrolle mund të jenë të pamjaftueshme për të ndaluar largimin e depozitave.

S&P aktualisht e rendit Bullgarinë me BB+ me panoramë të qëndrueshme, Rumania BBB- stabël, Maqedonia BB- stabël, Shqipëria B pozitive dhe Serbia BB- me panoramë negative.

Opozita në Slloveni do shkarkimin e ministres për shkak të ndalimit të Haradinajt

Partia Demokratike e Sllovenisë (SDS) në opozitë ka dorëzuar një mocion për largimin nga detyra të ministres së Punëve të Brendshme të këtij shteti, Vesna Gyorkos Znidar, për shkak të ndalimit të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj javën e kaluar, nga autoritetet sllovene, raporton Arta TV.

Partia e drejtuar nga ish kryeministri slloven Janez Jansha, akuzon ministren Znidar si përgjegjësen e drejtpërdrejtë, ose së paku me përgjegjësi subjektive dhe objektive me rastin e ndalimit të ish kryeministrit të Kosovës, raportojnë mediat sllovene.

Haradinaj qe ndaluar të mërkurën e kaluar në Aeroportin e Lubjanës përderisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Ndalimi i tij qe bërë në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet serbe në vitin 2004, e të qarkulluar në Interpol.

Grupi i deputetëve të kësaj partie ka vlerësuar se ndalimi i Haradinajt “ka shkaktuar një dëmtim vështirë të riparueshëm të marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, të cilat kanë qenë shembullore deri para kësaj ngjarjeje”.

“Komplikimi i marrëdhënieve (me Kosovën) do të ketë ndikim negativ në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, gjë e cila do t’i shkaktojë dëme të mëdha ekonomisë sllovene”, thuhet në kërkesën për interpelancë për ministren e Punëve të Brendshme, përcjell koha.net. “Ajo ka humbur besimin publik dhe më nuk mund të jetë përgjegjëse për t’i ushtruar funksionet për të cilat është emëruar”, thuhet në kërkesë.

Haradinaj qe liruar tri ditë më vonë.

NISMË PËR FORMIMIN E RAJONIT TË SANXHAKUT

Iniciatorët për konstituimin e rajonit jashtëkufitar të Sanxhakut do t’u dërgojnë ftesë qeverive të Serbisë e të Malit të Zi për formimin e këtij rajoni, shkruan sot e përditshmja e Podgoricës, ‘Vijesti’.

Njëri nga nismëtarët e këtij peticioni, Zaim Çelebiqin, transmeton Koha.net Rožaje free press, ka deklaruar se atë e kanë nënshkruar disa mijëra qytetarë boshnjakë e të tjerë.

“Në Sanxhak mbretëron interesim i jashtëzakonshëm për projektin e rajonit jashtëkufitar të Sanxhakut, sipas modelit të rajoneve evropiane”, thotë Çelebiq. Sipas tij krijimi i këtij rajoni do të kontribuonte për krijimin e ambientit të favorshëm afarist përmes zonave të përziera industriale dhe projekteve të përbashkëta.

“BE bashkëpunimin ndërkufitar e vendos si një detyrë parësore për të gjitha vendet anëtare dhe kandidate”, thotë Çelebiq.

Rajoni jashtëkufitar do të përfshinte komunat: Novi Pazar, Tutin, Nova Varosh, Priboj, Sjenicë, Rozhajë, Prijepole, Plevle, Bijellopole, Berane dhe Plavë.

RAUNDI I RI I BISEDIMEVE KOSOVË-SERBI, REND DITE I NGJESHUR

VOAL – BRUKSEL –Telekomi, energjia, liria e lëvizjes dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe janë temat kryesore të bisedimeve të sotme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Në Bruksel filloi raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Në raundin e sotëm do të trajtohen çështje që kanë të bëjnë me energjinë, telekomunikimet, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Prishtina pohon se Kosova do ta marrë kodin e saj telefonik 383 drejtpërdrejt nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve dhe se kërkesa në emër të Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Por Beogradi mohon të ketë një marrëveshje të tillë.

Qëndrime të kundërta kanë përshkuar edhe debatet rreth energjisë për shkak të refuzimit të Serbisë që të lërë nën kontrollin e qeverisë së Kosovës të liqenit të Gazivodës që shtrihet përgjatë kufirit verior të Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ne veri të Kosovës. Ky liqen vlerësohet me rëndësi thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, pos tjerash për faktin se Termocentralet e Kosovës varen nga furnizimi me ujë prej tij. Beogradi ka pohuar se ka ofruar ndarjen e pronësisë 50 me 50 për qind, por Prishtina këtë nuk e ka pranuar.

Qëndrimet janë kundërthënëse edhe për lëvizjen e lirë në veri, përkatësisht largimin e pengesave nga ura kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.

Pjesë e vështirë e bisedimeve pritet të jetë edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Prishtina ngulë këmbë se ky asociacion nuk do të ketë pushtet ligjvënës e as ekzekutiv, ndërsa Beogradi kërkon më shumë autonomi të asaj që ai e quan Bashkësia e komunave serbe.

Gjatë ditës pritet të diskutohet edhe shkalla e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash. Nga ky zbatim varet edhe ritmi i hapjes së kapitujve të negociatave për anëtarësim të Serbisë në Bashkimin Evropian. Beogradi parasheh takim të vështirë edhe për shkak të pohimeve të diplomatëve evropian se bisedimet 23 qershorit mund të kenë “ndikim vendimtar” për hapjen e këtyre kapitujve. Në fillim të korrikut ne Beograd pritet të qëndrojë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila ngulë këmbë në qëndrimin se hapja e kapitujve të negociatave për anëtarësim duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me gjithë kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. za

Izetbegoviq: Respekt ndaj viktimave, pastaj pajtimi

VOAL Serbia duhet të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid dhe duhet të pranojë sovranitetin e gjykatave në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë anëtari i Presidencës së Bosnjës Bakir Izetbegoviq.

Izetbegoviq për Al Jazera ka thënë se kryeministri serb Aleksandër Vuçiq po tregon gatishmëri që të përmirësojë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bosnjës.

“Për fat të keq ngjarja e fundit me arrestimin e Naser Oriqit në Zvizër janë në kundërshtim me mënyrat dhe fjalët e mira të Vuçiqit. Oriq është për herë të tretë mbrojtës i Srebrenicës, hero i Srebrenicës në burg. Dhe shteti serb kërkon ekstradimin e tij”, ka thënë Izetbegoviq.

Ai ka thënë se ai është në kundërhstim me deklaratat për marrëdhëniet mes serbëve dhe boshnjakëve.

“Duhet t’i pranojë gjyqet, tribunalin e Hagës, ku atje është dëshmuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi. Dhe duhet me këtë të pajtohet, me atë qka kanë bërë Skorpionët”.

Izetbegoviq ka thënë se duhet të shikohen xhirimet e vrasjeve të djemve dhe ta kuptojë se kjo ka ndodhur 8372 herë.

Serbia akuzon Slloveninë dhe BE-në për arrestimin e Haradinajt

 

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq beson se arrestimi i ish-kryeministrit kosovar Ramush Haradinajt nga Sllovenia në bazë të një urdhër-arresti të vjetër të Serbisë është bërë për të shkaktuar probleme për qeverinë serbe gjatë bisedimeve të saj me Kosovën të ndërmjetësuara nga BE-ja, njofton agjencia dtt-net.

“Disa gjëra të çuditshme po ndodhin”, ka thënë Vuçiq për mediat lokale duke komentuar arrestimin e Haradinajt në Slloveni të mërkurën.

Vuçiq pyeti pse Haradinaj u arrestua pikërisht tani dhe jo më parë, kur ai kishte përdorur aeroportin e Lubjanës dhjetëra herë pavarësisht urdhër-arrestit nga Beogradi.

Kryeministri tha për Radion B92 se ish-komandanti i UÇK-së udhëtoi për të “50-ten herë”, duke përdorur të njëjtën pasaportë diplomatike në vendet e BE-së, “dhe tani u arrestua vetëm disa ditë para negociatave (Serbi-Kosovë) në Bruksel”.

Vuçiq tha se në bisedimet e javës se ardhshme me homologun kosovar, Isa Mustafa, “do të ketë presion mbi Serbinë (nga BE)”, i bindur se rasti i arrestimit të Haradinajt është një rast i ri në listë nga ana e BE-së kundër Qeverisë serbe, transmeton kp.

“… Por ne jemi në gjendje t’i përballojmë disa ditë edhe më të vështira. Ne do të shkojmë në Bruksel për të arritur një marrëveshje, dhe nëse do ta arrijmë këtë, ne do të shohim, duhet vullnet nga të dy palët”, tha kryeministri serb.

Haradinaj u arrestua të mërkurën në aeroportin e Lubjanës në kthimin e tij në Kosovë nga Berlini.

Pasaporta e tij është konfiskuar dhe është në pritje të një vendimi përfundimtar nëse ai duhet të ekstradohet në Serbi apo të lirohet për t’u kthyer në Kosovë.

Qeveria sllovene ka premtuar se ish-kryeministri kosovar nuk do t’i dorëzohet autoriteteve të Beogradit, por do të lirohet.

MBYLLJA E KUFIRIT – SERBIA E SHOKUAR NGA PLANI I HUNGARISË

VOAL – BEOGRAD – Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është “i befasuar dhe i shokuar” me planin e qeverisë së Hungarisë, për ta mbyllur kufirin me Serbinë dhe për ndërtimin e një rrethoje përgjatë kufirit për ta ndalur hyrjen e imigrantëve ilegalë.

“Jam i befasuar dhe i shokuar”, tha Vuçiq dhe ka shtuar se “do të diskutojmë për këtë vendim me kolegët hungarezë”.

Këto komente ai i bëri në Televizionin shtetëror të Serbisë nga Osloja, ku gjendet për vizitë.

Dje, më herët gjatë ditës, ministri i jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se qeveria kishte kërkuar nga ministria e brendshme që t’i “filloj punët përgatitore për një rrethojë të lartë katër metra përgjatë kufirit”, prej 175 kilometrash.

“Emigrimi është njëri prej problemeve më serioze me të cilat sot ballafaqohet Bashkimi Evropian”, tha Szijjarto, dhe ka shtuar se “shtetet e BE-së janë duke kërkuar zgjidhje, por Hungaria nuk mund të pres më shumë”.

Numri i emigrantëve dhe azilkërkuesve, që po hyjnë në Hungari, shumica duke kaluar kufirin jugor me Serbinë, është rritur shumë prej gjysmës së dytë të vitit 2014.

Zyrtarët thonë se deri tash këtë vit afro 54,000 imigrantë kanë hyrë në Hungari. rel

ARDIAN GJINI PËR RTV 21: SLLOVENIA DUHET TË KËRKOKË FALJE

VOAL – Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini në emisionin “CLIK” të RTV21, ka deklaruar se shteti slloven, duhet t’i kërkoj falje Republikës së Kosovës për arrestimin e Haradinajt.

Gjini ka theksuar se nëse Sllovenia konsideron Kosovën një shtet me raporte të mira atëherë nevojitet kërkim falje.

” Pas kthimit të Ramush Haradinaj, Sllovenia duhet t’i kërkojë falje Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të saj për arrestimin e Haradinajt” ka thënë Gjini duke shtuar se kërkim falje duhet bërë në emër të raporteve të Kosovës me Sllovenin.

Vuçiq: Haradinaj u arrestuar për t’i bërë presion Serbisë para bisedimeve në Bruksel

VOAL – Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiq, me rastin e arrestimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Slloveni, ka thënë se dikujt i ndodhin gjëra të çuditshme.

Vuçiq, në një deklaratë për B92, ka thënë se ky është rasti i 50-të që Haradinaj udhëton me të njëjtën pasaportë diplomatike, ndërsa sot, pikërisht pak ditë para bisedimeve në Bruksel, e arrestojnë.

“Me siguri se do të ketë presion ndaj Serbisë, por ne jemi të gatshëm të përballojmë situata edhe më të rënda. Do të shkojmë në Bruksel për t’u dakorduar, por se a do ta arrijmë këtë, mbetet të shohim. Për të luajtur tango nevojiten dy persona”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se, ju mbetet brenga e madhe ta ruajnë stabilitetin, prandaj nuk guxojnë të reagojnë padurueshëm, mirëpo as të lejojnë që dikush të diskreditojë, nënçmojë dhe shkelë.

“Nuk më pëlqejnë teoritë e konspiracionit, por në vendin tonë janë nxitur pasionet politike para ardhjes së zonjës Merkel, para dialogut në Bruksel, para Srebrenicës dhe para vendimit të FMN-së”./Zëri

BUJANOC – XHANDARMËRIA SERBE RRETHOI DOBROSININ

Forca të mëdha të Xhandarmërisë serbe kanë hyrë mbrëmë në fshatin kufitar Dobrosin të Bujanocit, duke shqetësuar banorët e zonës kufitare.

Xhandarmëria nga mesnata është koncentruar në disa lagje të fshatit, si dhe ka patrulluar deri në afërsi të fshatit Stublinë të Komunës së Gjilanit, raporton Zëri.

Banorët i druajnë ndonjë skenari të mundshëm të autoriteteve në Beograd, që do të ishte me pasoja për shqiptarët e këtij lokaliteti.

Ata kërkojnë nga faktori politik dhe institucional në Luginë, që të informohen për këtë prani të xhandarëve serb në trojet shqiptare të mbetura në Serbi.

Lidhur me gjendjen e tensionuar në fshatrat e rripit kufitar, ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu.

“Qëllimi kryesor është ajo që ka deklaruar edhe vet gjenerali serb, që paralajmëroi se në vijim do të ketë masa të shtuara në Luginë të Preshevës. Serbia ende po ia tregon muskujt shqiptarëve”, deklaroi Musliu, ish udhëheqës politik UÇPMB-së.

Ndryshe, Dobrosini është fshati i parë kufitar i banuar me shqiptarë në Malësinë e Karadakut të Bujanocit.

15 vjet më parë ky fshat ka qenë bastioni dhe vendlindja e ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). /Zëri

Radio Evropa e Lirë – Heshtja e Serbisë ndaj gjenocidit në Srebrenicë

Autoritetet e Serbisë janë të shqetësuara për shkak të rezolutës së paralajmëruar për Srebrenicën, të cilën Britania e Madhe po ia propozon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në prag të 20 vjetorit të gjenocidit.

Kur misioni i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara ia dorëzoi Serbisë propozimin për rezolutën për Srebërnicën, për të cilën Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të duhej të diskutonte në mbledhjen e 7 korrikut, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Beogradi do ta shqyrtojë me kujdes përmbajtjen e tekstit.

Më parë, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për këtë rezolutë, theksonte se rrethi që po krijohet është i vështirë dhe i rrezikshëm..

Por, Zharko Koraq, politikan dhe psikolog, i tha Radios Evropa e Lirë se politika e Beogradit ndaj Srebrenicës ka qenë gjithmonë që të shtihet kinse ajo ngjarje nuk ekziston fare dhe se nuk ka ndodhur.

“Kjo është një politikë, të cilën unë do ta quaja ashtu siç tradicionalisht quhet, politikë e strucit, do të thotë ta fusësh kokën në rërë dhe të shtiheni kinse asgjë nuk ka ndodhur”.

“Në fakt, rezoluta angleze ia përkujton Serbisë faktin që ajo është dashur të jetë nismëtare morale e rezolutës ose ndonjë deklaratë për Srebrenicën, por ajo e ka humbur këtë rast dhe tashmë është në pozicion që të reagojë lidhur me atë që të tjerët dëshirojnë të deklarojnë dhe mënyrës se si dëshirojnë ta shënojnë këtë ngjarje të tmerrshme”, tha Koraq.

Ndërkohë, mediet tashmë raportojnë se rezoluta për Srebrenicën parasheh që fëmijët në të ardhmen në shkolla të mësojnë për gjenocidin dhe se dënohet çdo mohim i gjenocidit.

Në anën tjetër, një gjë e tillë po ndodhë nga disa adresa të caktuara politike.

Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, kohë më parë mohoi të ketë pasur gjenocid në Srebrenicë.

“Në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid. Është shumë e vështirë të akuzosh në gjykatë dhe të dëshmosh se ka pasur formë të gjenocidit”, ka thënë Nikoliq.

Ndërkaq, ministri i jashtëm serb, Daçiq, thekson se e ka lexuar propozimin e rezolutës.

“Në atë tekst, 20 herë përmendet gjenocidi dhe vetëm një herë pajtimi”, ka theksuar Daçiq.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Nontingemit, Marko Milanoviq, nuk beson se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do ta sjellë rezolutën për Srebrenicën me formulim ligjor obligues, për shkak se për çfarëdo dokumenti që sjellë ky mekanizëm, është i nevojshëm pajtimi i të gjithë anëtareve, pra edhe i Rusisë.

Por, sipas tij, fuqia e rezolutës së Kombeve të Bashkuara është politike, ashtu siç ka qenë edhe rezoluta që dënoi gjenocidin në Ruandë.

“Rëndësia e rezolutës, para së gjithash është simbolike. Për këtë shkak kjo edhe po i pengon autoritetet në Serbi, sepse kjo do t’ju krijojë problem politik. Kurdo që do të takohen me ndonjë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, mund t’i pyesin se ‘a keni vepruar sipas rekomandimeve ose vendimeve të Këshillit të Sigurimit dhe çka ju po bëni lidhur me gjenocidin në Srebërnicë”, tha Milanoviq.

Ai shtoi se në qoftë se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit rekomandon që 11 qershori të konsiderohet si ditë e përkujtimit të gjenocidit, Serbia mund ta refuzojë këtë në aspektin ligjor, por në aspektin politik kjo do të ishte e dëmshme për të.

Presidenti Nikoliq e anuloi vizitën në Bosnjë

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, sot e ka anuluar vizitën e tij në Bosnjë, pasi një anëtar i presidencës tripalëshe të Bosnjë Hercegovinës, e kundërshtoi udhtëimin e tij, për shkak të arrestimit të ish-komandantit të myslimanëve të Bosnjës, lidhur me akuzat për krime lufte nga Serbia.

Vizita e Nikolliqit është dashur të realizohet nesër dhe do të ishte vizita e parë zyrtare e tij, prej vitit 2012.

Por Bakir Izetbegoviq, anëtar mysliman i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, sot ka bërë thirrje që Nikoliq ta shtyjë vizitën e tij për shkak se në Zvicër është arrestuar, Naser Oriq, komandant i myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, gjatë luftës ndëretnike në këtë vend në periudhën 1992-95.

Oriq është arrestuar në Zvicër më 11 qershor.

Srebrenica është qytet, ku forcat serbe të Bosnjës i kanë vrarë afro 8 mijë burra e djem myslimanë, në korrik të vitit 1995, që ishte masakra më mizore në tokën evropiane prej Luftës së Dytë Botërore.

Zyra e Nikolliqit tha se ai ishte detyruar t’i ndryshoj planet dhe do ta vizitoj Bosnjë Hercegovinën “kur të tre anëtarët e presidencës do të tregojnë unitet dhe gatishmëri”. rel

SERBIA KA MARRË TEKSTIN E PROJEKTREZOLUTËS PËR SREBRENICËN NGA BRITANIA

 VOAL – NJU JORK – Misioni i Britanisë në Kombet e Bashkuara ia ka dorëzuar Serbisë propozimin e rezolutës për Srebrenicën, e cila me gjasë do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 7 korrik, ka deklaruar sot ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Thuhet se qëllimi i rezolutës është pajtimi, por në atë tekst në 20 vende përmendet gjenocidi dhe vetëm një herë pajtimi”, tha Daçiq.

Ai mëtutje është shprehur se “Serbia tashnë ka treguar përkushtim për dënimin e krimeve të luftës, por qeveria e Serbisë do të udhëhiqet me interesat shtetërore e kombëtare kur kemi të bëjmë me këtë temë”, tha Daçiq në konferencën e rregullt me gazetarë në Beograd.

Sipas tij, ende nuk janë kryer konsultimet me shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe se pritet që ato të mbahen gjatë javës së ardhshme.

Ivica Daçiq tha se rezoluta për Srebrenicën, të cilën e përgatit Britania, përmbanë pjesë të përgjithshme, të cilat direkt kanë të bëjnë me krimet në Srebrenicë. rel

Bosnje – Protestë për lirimin e Naser Oriqit

VOAL – SARAJEVË – Disa qindra veteranë të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë protestuan kundër arrestimit të një komandanti mysliman të luftës.

Autoritetet zvicerane kanë arrestuar Naser Oriqin më 10 qershor, me kërkesë të Serbisë.

Beogradi e akuzon atë për vrasjen e nëntë civilëve serbë në vitin 1992, në një qytet pranë Srebrenicës.

Protestuesit në Sarajevë kërkuan lirimin e menjëhershëm të tij. Oriq është liruar nga Tribunali i Hagës në vitin 2008. Ai ka thënë se ai nuk ka komanduar forcat që kanë kryer krime lufte. rel

VËRSHIMI I EMIGRANTËVE – HUNGARIA MUND TA MBYLLË KUFIRIN ME SERBINË

Hungaria mund të mbyllë plotësisht kufirin me Serbinë, për të ndaluar fluksin e emigrantëve në territorin e saj, ka paralajmëruar kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Nuk është e drejtë të na dërgojnë emigrantë. Duhet t’i ndalojnë në territorin serb”, ka thënë Orban, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ai po ashtu ka thënë se është planifikuar një takim me autoritetet serbe në fillim të muajit korrik.

“Po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë, përfshirë edhe mbylljen komplete të kufirit”, ka thënë Orban, duke shtuar se vendimi do të merret më 17 qershor.

Sipas të dhënave të Qeverisë hungareze, 95 për qind e emigrantëve arrijnë në Hungari përmes Serbisë, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian.

Rreth 75 për qind e tyre janë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të cilët ikin nga konfliktet në vendet e tyre.

Në janar dhe shkurt të këtij viti, në Hungari po ashtu ka hyrë numër i madh i shtetasve kosovarë, të cilët janë larguar për shkak të situatës ekonomike. rel

TERRORISTËT NË BALLKAN

Vendet e Ballkanit po përballen gjithnjë e më shumë me problemin e xhihadistëve. Organizatat ekstremiste gjejnë truall të përshtatshëm kryesisht në vendet e traumatizuara nga lufta si Bosnje-Hercegovina dhe Kosova.

Ka shumë ditë që në internet po qarkullullon një video ku mund të shihet “një mesazh” për banorët e vendeve të Evropës Juglindore. Në videon e prodhuar nga Shteit Islamik, në Qendrën e tyre për media Hayat, janë dërguar edhe kërcënime të shumta. “Nëse ke mundësi vendose një lëndë shpërthyese nën makinat e tyre”, thërret një mjekrrosh me emrin Salahuddin, sipas të gjitha gjasave nga Bosnja. Ai thërret që të “helmohen të pafetë” dhe “të vriten kudo që janë: në Bosnje, në Serbi, në Sanxhak.”

Video-propaganda dëshmon ndryshimin e strategjisë së Shtetit Islamik. A do të hapet tani edhe një front në Ballkan – me ndihmën e atentatorëve individualë? Eksperti për terrorizëm, Peter Neumann nga Londoner King´s College mendon: “Ata po i bëjnë ftesë individëve që të kryejnë aksione të këtilla të tmerrshme.”

Kërkesat për bashkëpunim

Një sulm terrorist tronditi shumë banorët e qytetit boshnjak Zvornik, në fund të prillit. Një burrë i armatosur thirri “Allahu akbar” dhe qëlloi për vdekje një polic. Sulmuesi, sipas burimeve të policisë, ka pasur kontakte intensive me një të kthyer nga lufta e Sirisë. Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, kërkon angazhimin e përbashkët të kolegëve në rajon dhe paralajmëron: “Pasi lëvizjet nga Evropa në Irak apo Siri kalojnë para së gjithash nëpër Ballkan, dhe këto vende për fat të keq ende ofrojnë truall të volitshëm për radikalizma, siguria jonë varet shumë edhe prej stabilitetit të Ballkanit.”

Terrorismus Zvornik Bosnien und Herzegowina Sulmi në Zvornik, 27.04.2015

Vendet e Ballkanit deri tani janë trajtuar vetëm si vende tranzit dhe vendstrehim për xhihadistët. Por predikukesit salafistë janë duke rekrutuar luftëtarë në veçanti në Bosnje dhe në Kosovë. Vetëm nga Kosova kanë shkuar në luftë, sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë, rreth 250 luftëtarë. Edhe në Bosnje ka fshatra të tëra të rrezikuara nga ekstremistët. Politologu boshnjak Vedran Xhihiq nga Universiteti i Vjenës thekson: “Kur shikon shifrat e personave të rekrutuar nga vendet e Evropës, atëherë mund të konstatosh se vendet e Ballkanit janë ndër të parat. Do të thotë: Bosnja dhe Kosova janë në vendet e para. Të rrezikukara janë e gjithë Bosnja, Kosova, disa pjesë të Maqedonisë dhe Serbisë. Në Sanxhak të Serbisë ka pasur prej dekadash elemente dhe tendenca radikale. Ekziston rreziku që këto tendenca të shtohen.” Ballkani mbetet edhe një zonë tranziti për xhihadistët. Tani IS i ka cënuar edhe këto vende.

IS-Flagge in Gornja Maoca, Bosnien Flamuri i IS valëvitet në Gornja Moaca në Bosnje

Kërcënimet e reja

Në videon e fundit të IS, ata llogarisin me frikën e njerëzve. Xhihadistët paralajmërojnë për masakra të reja në Srebrenicë, Mostar apo Gorazhdë. Shteti Islamik premton se do t’i ndihmojë këto vende, me shpresë se do të fitojë simpati dhe mbështetje atje. Por çfarë po bëhet kundër xhihadistëve? Të gjitha vendet e Ballkanit i kanë ashpërsuar rregullat ligjore. Janë shtuar edhe përndjejkjet dhe arrestimet. Eksperti për terrorizmin Peter Neumann thotë se duhen nxjerrë mësime nga strategjia e përdorur në futboll. “Me rëndësi është që këtyre personave t’u merren pasaportat, para se të udhëtojnë. Për këtë duhet të ketë baza ligjore. Në Britaninë e Madhe për shembull, ekzistojnë rregullat që janë nxjerrë për të luftuar huliganizmin në stadiume. Këto mund të aplikohen edhe tani, sepse prioriteti kryesor është që të evitohet udhëtimi i këtyre personave.” dw


Send this to a friend