VOAL

VOAL

Mogherini në Serbi: Kapitulli 35 për hapjen e bisedimeve

Komisionarja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, gjatë qëndrimit në Serbi, ka thënë se data kur mund të hapen bisedimet për kapitujt 32 dhe 35, është 14 dhjetor.

“Disa muaj më parë, kam thënë në Beograd se kapitujt duhet të hapen para fundit të vitit, dhe tash po them se më 14 dhjetor mund t’i hapim. Bashkëpunim më intensiv na pret përpara dhe kjo është e rëndësishme si për Serbinë ashtu edhe për BE-në”, ka thënë Mogherini në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, transmeton Koha.net.

Mogherini më tej në lidhje me dialogun Prishtinë-Beograd u ka thënë serbëve që mund të llogarisin në të dhe Bashkimin Evropian se ata garantojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga të dy palët në Bruksel dhe vazhdimin e Dialogut Prishtinë-Beograd.

Ndërsa kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, ka thënë se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, sepse, sipas tij, ai ka shumë gjera dhe çështje konkrete që duhet të adresohen, e të cilat ndikojnë direkt në jetën e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.

Kapitulli 35 ka dal të jetë kafshatë vështirë e kapërdishme për palën serbe sepse në këtë kapitull parashihet që Beogradi të heq dorë nga Kosova, se siç thuhet në të, Serbia të heqë dorë nga të gjitha elementet e veta të shtetësisë në Kosovë.

Ozilhani: Turqia do të gjejë tregje të reja

Ai ka shpjeguar se Grupi Anadolu në Rusi realizoi investime të rëndësishme të cilat llogariten në disa miliarda dollarë

ANKARA – Kryetari i Këshillit të biznesit Turqi-Rusi në Këshillin e Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë Tuncay Ozilhan, në lidhje me sanksionet që Rusia ka ndërmarrë ndaj Turqisë pas rrëzimit të vionit rus i cili shkeli hapësirën ajrore turke tha se vendi do të gjejë tregje të reja.

“Ashtu siç e ka shprehur edhe kryeministri ynë do të gjenden tregje të reja. Edhe sikur të jetë problem për një periudhë të shkurtër ndoshta më pas do të lind një mjedis i përshtatshëm për të shpërndarë rreziqet”, ka deklaruar Ozilhan.

Ozilhan, në një deklaratë për gazetarin e AA-së komentoi mbi zhvillimet ndërmjet Rusisë dhe Turqisë.

Ai ka shpjeguar se Grupi Anadolu në Rusi realizoi investime të rëndësishme të cilat llogariten në disa miliarda dollarë. “Kemi afërsisht 5 mijë punonjës. Kemi fabrika. Jemi një prej ivestitorëve më të rëndësishëm në vend. Gjithashtu paguajmë taksë të rëndësishme. Kemi marka shumë të rëndësishme”, ka thënë ai.

Duke vënë në dukje se janë nga të parët që kanë vajtur në Rusi për investime Ozilhan thotë se në Rusi janë të pranishëm që nga viti 1998.

“Në Rusi kemi vajtur në vitin 1998, dhe që nga ajo kohë kemi kryer punë të suksesshme. Ashtu siç edhe kryeministri Ahmet Davutoglu ka shprehur se problematika duhe të zgjidhet në tryezë, me mënyra diplomatike dhe se investitorët dhe biznesmenët nuk duhet të dëshpërohen. Sepse përfundimisht në këto vende turqit do të qëndrojnë si investitorë. Rusët vijnë në këtë vend, u krijohen mundësitë e turizmit, dhe sërish ashtu siç kryeministri Davutoglu ka shprehur se jemi të ndërthurur me njëri tjetrin, dhe aq shumë të ndërthurur sa të gjithë burimin e energjisë e marrim nga kjo. Dëshiroj dhe dua që këto tensione të ulen dhe të zgjidhen duke u ulur në tryezë. Në emër të njerëzve të të dy vendeve, dhe në emër të investitorëve uroj që të tregojnë përkushtim dhe të ulen në tryezë”, thekson Tuncay Ozilhan.

– “Në kohën kur të gjithë iknin nga Rusia ne bënim investime”

Ozilhan duke përmendur investimet e realizuara nga investitorët turq në Rusi ka thënë se “në kohën kur të gjithë iknin nga Rusia ne bënim investime”.

Ai shprehu dëshirën se mes dy vendeve do të fitojë logjika dhe se reaksioni do të kalojë. Özilhan tha se Rusia dhe Turqia janë dy vende mike.

Qeveria Rajonale Kurde në Irak përgënjeshtron akuzat që bën Rusia ndaj Turqisë

Zëdhënësi i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Sefin Dizayi, në lidhje me pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë që nafta e ISIS-it kalon në Turqi nëpërmjet linjës Zho-Silopi, ka pohuar se kundërshtojnë pretendimet e Rusisë

ERBIL – Zëdhënësi i Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut, Sefin Dizayi, në lidhje me pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë që nafta e ISIS-it kalon në Turqi nëpërmjet linjës Zho-Silopi, ka pohuar se kundërshtojnë pretendimet e Rusisë.

Dizayi në një deklaratë për gazetarin e AA-së duke theksuar se i shohin me shqetësime pretendimet e Rusisë për naftën e ISIS-it u shpreh se “akuzat e një shteti si Rusia që pretendon se nafta e ISIS-it dërgohet në Turqi nëpërmjet rajonit të Kurdistanit na ka dëshpëruar. Informacionet e publikuara nga Rusia nuk janë të drejta”.

“Si qeveri e Kurdistanit ne kundërshtojmë këto pretendime të Rusisë. Linjat e tubacioneve, nga Zaho dhe deri në pikën kufitare Ibrahim Halil janë pronë e rajonit të Kurdistanit. Ministria e Burimeve Natyrore në kudër të marrëveshjeve me kompanitë e huaja menaxhon procesin. Një pjesë të madhe të naftës së nxjerrë në rajonin Duhoj dhe Badinan me linjat e tubacionit e dërgon në Turqi. Ndërsa një pjesë tjetër të naftës e dërgon me tankerë” ka shtuar ndër të tjera Dizayi.

Duke vënë në dukje luftën kundër ISIS-it të Rajonit kurd dhe Peshmergëve Dizayi ka vlerësuar se: “Nafta që rajoni i Kurdistanit shet nuk ka lidhje me ISIS-in. Rajoni i Kurdistanit lufton më shumë se çdo kush me DAESH-in, është forca primare që mbështet Peshmergët në luftën kundër kësaj organizate. Peshmergët të cilat janë forcat që kanë thyer dhe prishur mitin e ISIS-it. A mund të shesë drejtpërdrejtë apo tërthorazi rajoni i Kurdistanit naftë e cila ofron përfitime për ISIS-in? A mund të ndërmjetësojë Kurdistani në tregtinë e ISIS-it? Këtë pretendim nuk i pranon as mendja as arsyetimi”.

“Rusia po bën deklarata të gabuara mbi burimet e naftës. Shpresojmë që edhe palët e tjera nëpërmjet informacioneve të gabuara të mos hedhin hapa të tilla” ka deklaruar ndër të tjera Diyazi.

Duke u shprehur se nafta që shkon drejt Turqisë nga Qeveria Rajonale Kurde në çdo fazë të sajë është transparente Dizayi ka shprehur pikëpamjet se: “Nafta e ISIS-it, në asnjë mënyrë nuk ka kaluar nëpër kufijtë e kontrolluara nga Kurdistani. Kundërshtojmë me forcë këto pretendime të Rusisë dhe nuk pranojmë asnjë akuzë kundrejt nesh. Sepse linjat e tubacionit nga rajoni Zaho drejt Turqisë nuk janë të fshehta, por janë të qarta se ku ndodhen. Kjo është tërësisht pa lidhje”.

Dizayi ka vënë në dukje se Rusia ka konsullatë në Erbil dhe se në lidhje me këtë çështje ata presin shpjegime u shpreh më tej se: “Marrëdhëniet mes Rajonit të Kurdistanit dhe Rusisë janë të mira dhe miqësore. Edhe kompanitë ruse të naftës kanë aktivitete në rajonin e Kurdistanit. Shpresojmë që Rusia ti rishikojë informacionet në këtë temë. Rusia duhet të rregullojë informacionet që askush të mos hyjë në një rrugë të gabuar”.

Edhe Abdullah Barzani, Shefi i Policisë së Pikës Kufitare mes Turqisë dhe Irakut të Veriut, Ibrahim Halil duke kundërshtuar pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë tha se: “Këto janë pretendime të pabaza që janë hedhur për të dëmtuar imazhin e rajonit të Kurdistanit. Është e qartë dhe e përcaktuar se në çfarë mënyrë dhe në cilat rrugë eksporton naftën Rajoni i Kurdistanit. Dërgesat e naftës janë bërë në mënyrë transparente dhe të hapur”.

Ndërsa ministri i Burimeve Natyrore të Qeverisë Rajonale të Irakut, Ashti Hawrami në një fjalim të mbajtur në “Konferencën Nafta dhe Gazi i Rajonit Kurdistanit” të mbajtur në Londër kishte theksuar se ISIS ka krijuar një pengesë në eksportin e naftës të Rajonit të Kurdistanit . Ai pati  deklaruar se: “Po të mos ishte i pranishëm ISIS deri tani eksportet tona të përditshme të naftës do të ishin në 1 milionë fuçi”.

Akuzat e Rusisë se “Turqia bën tregti të naftës me ISIS-in” dolën në pah pas rrëzimit të avionit rus i cili shkeli hapësirën ajrore turke. Këto pretendime të shpërndara intensivisht nga mediat nën kontrollin e qeverisë së Kremlinit, nuk u gjendën të besueshme në opinion publik ndërkombëtarë.

Një avion luftarak i prodhimit rus me nacionalitet të papërcaktuar me 24 nëntor nga hapësira ajrore e Sirisë pati kaluar në anën turke dhe u rrëzuar nga avionët turq F-16 për shkak se vazhdoi shkeljen pavarësisht 10 paralajmërimeve të bëra. Pas ngjarjes Rusia deklaroi se avioni i përkiste asaj. NATO konfirmoi saktësinë e informacioneve të paraqitura nga Turqia në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të avionit. Edhe në fillim të muajit tetor avionët luftarakë të Rusisë patën shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, ku pas ngjarjes autoritetet ruse duke kërkuar falje kishin njoftuar se të njëjtat situata nuk do të përsëriteshin. Ndërsa Turqia kishte ripërsëritur se ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore do të zbatonte rregullat e angazhimit që përfshijnë kundërpërgjigjen ushtarake.

Erdogani: Kam prova se Rusia merr naftë nga ISIS-i

Presidenti rus Vladimir Putin ka akuzuar Turqinë ditët e fundit se furnizohet me naftë nga i ashtuquajturi Shtet Islamik.

Rusia tregoi edhe pamje satelitore për naftën që qarkullonte. Por, ndërkohë, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në një reagim këtë të enjte, tha se Ankaraja ka prova se Rusia është e përfshirë në tregti të paligjshme të naftës me grupin ekstremist Shteti Islamik në Siri.

“Kemi prova në duart tona. Do t’ia zbulojmë botës”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv, por duke mos dhënë detaje të tjera.

Ai i ka përshkruar si “të pamoralshme” akuzat e Rusisë, të bëra një ditë më herët, se familja e Erdoganit importon naftë nga militantët e Shtetit Islamik.

Atentat në Shkup – vriten dy shqiptarë

Një incident i armatosur ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Gërçec në afërsi  të Shkupit, në të cilin dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një i tretë ka marr plagë të rënda.
Siç informon policia maqedonase, rreth orës 23:00, persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të makinës tip “Mercedes” me targa të Shkupit, në të cilën kanë qenë duke udhëtuar viktimat dhe personi i plagosur, që aktualisht po kurohet në qendrën klinike të Shkupit.
“Prokurori publik menjëherë pas incidentit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer ekspertizën e duhur. Autorët që kanë kryer këtë vepër janë në arrati dhe policia është në kërkim të tyre”, ka deklaruar për mediat një zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Njëri prej viktimave është Nebush Nuhishi, afarist i njohur në Shkup, i cili veprimtarinë e tij e ka mbështetur në tregtinë me mish dhe që njihet edhe si organizator i garave tradicionale në mundje të lirë. Ndërkaq, identiteti i dy personave tjerë në këtë incidentet ende është i panjohur.

Erdogan: Në rast se reagimet do të vazhdojnë, jemi të detyruar të marrim masat tona

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogani ka deklaruar sot, gjatë një vizite në Katar, se qëllimi i Turqisë nuk është një zmadhim i ngjarjeve në lidhje me rrëzimin e avionit ushtarak rus, dhe se “nuk është në favorin e askujt të luaj me zjarrin”

ANKARA – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogani, ka deklaruar sot gjatë një vizite në Katar, se qëllimi i Turqisë nuk është një zmadhim i ngjarjeve në lidhje me rrëzimin e avionit ushtarak rus, dhe se “nuk është në favorin e askujt të luaj me zjarrin”.

Erdogani në lidhje me problemet mes Turqisë dhe Rusisë ka deklaruar se: “Nuk kemi si synim të përshkallëzojmë situatën. Un besoj se po të vëmë në pah dialogun dhe diplomacinë do të fitojë mirëkuptimi dhe toleranca. Rusia dhe Turqia kanë projekte shumë të mëdha përpara dhe ne për këtë arsye nuk jemi sjellë duke përdorur ndjenjat dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë. Ne do të veprojmë ashtu sikurse e kërkon diplomacia ndërkombëtare. Nuk duam të dëmtojmë më shumë marrëdhëniet tona dhe nuk dëshirojmë përshkallëzimin e problemit”.

Presidenti Erdogan ka shtuar se “po ndjekim me dëshpërim reagimet e joproporcionale që Rusia po jep në një çështje ku e gjithë bota e pranon se kemi të drejtë. Në rast se këto reagime do të vazhdojnë sigurisht edhe ne do të mbetemi të detyruar të  marrim masat tona. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ndërmarrë një luftë kaq gjithëpërfshirëse sa Turqia kundër ISIS”

Presidenti Erdoğan duke theksuar se në luftën kundër ISIS asnjë vend tjetër në botë nuk ndërmerr një luftë gjithëpërfshirëse dhe rezultatdhënëse sa Turqia u shpreh se: “Teksa dikush nën pretekstin e ISIS po realizon në Siri projektet e tij, Turqia edhe pse përballet drejtpërdrejtë me sulmet e organizatës terroriste ka zgjedhur të marrë pjesë në anë të vëllezërve të saj të shtypur”. aa

Xhamia e Re në Manastir shndërrohet në Galeri të Arteve, BFIM kërkon pronësinë e saj

SHKUP – Xhamia e Re me dekada të tëra pret të rikthehet në pronësi të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM). Mirëpo, ajo tashmë është shndërruar në Galeri të Arteve, për të cilën nuk pajtohet as BFIM-ja e as Muftinia e Manastirit.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Muftiu i Manastirit, Pëllumb Veliu, foli lidhur me shqetësimet për fatin e xhamisë në këtë qytet. Ai tha se në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore shteti po bën uzurpimin e xhamisë. Sipas tij, xhamia duhet të kthehet në pronësi të BFIM-së dhe më pas ky institucion ta vendosë në shërbim të besimtarëve myslimanë dhe faljes së namazit.

Nga ana tjetër Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi pohon se ka patur shkelje të ligjit sa i përket Jeni Xhamisë. Mirëpo, ai zgjidhjen e këtij problemi e sheh në tek vullneti i mirë politik.

Muftiu ,Veliu thotë se për fat të keq tashmë jemi në fazën e gati përfundimit total të uzurpimit të përhershëm, të përgjithmonshëm të Jeni Xhamisë në Manastir nga ana e shtetit aktual, një situatë që nuk është e re, por ka filluar që nga viti 1945, gjegjësisht që nga viti 1948.

“Në këtë periudhë deri në vitin 1970 Jeni Xhamia gjithmonë ka shërbyer si ndonjë depo për drithëra apo depo të ndryshme, derisa nuk u mor vendimi që ajo të shndërrohet në Galeri të Artit modern. Ngec problemi aty ku vendimi për kthimin e xhamisë merret në vitin në vitin 1960 kurse në vitin 1967-68 përsëri merret një vendim tjetër nga pushteti i atëhershëm dhe përsëri ‘de jure’ i merret xhamia BFI-së”, thekson Veliu.

Sipas tij, kjo situatë ka vazhduar deri në vitin 2003 dhe xhamia shërben si Galeri e Arteve edhe pse BFIM-ja gjithmonë ka reaguar dhe asnjëherë nuk është pajtuar me statusin e Jeni Xhamisë.

– Nuk janë të vërteta pohimet për themele të kishës-

Duke folur për gërmimet në Jeni Xhami, Muftiu i Manastirit mohon pretendimet e disa konservuesve maqedonas për gjoja themele të Kishës Shën Gjorgjia.

“Kudo që të gërmoni në Manastir, në Shkup apo në qendrën më të ngushtë të qyteteve do të gjeni tre gur një mbi një ose do të gjeni ndonjë themel që nuk është aspak as argument as fakt se aty ka patur kishë ose ndonjë ndërtim tjetër. Nuk ka patur për arsye se tanimë ia gjetën edhe emrin kinse qenka kisha e Shën Gjorgjit”, thotë në deklaratën për AA, Veliu.

Ai thekson se prej vitit 2011 e këtej gati në të gjitha materialet apo dokumentet e shkruara në komunikim ndërmjet Ministrisë së Kulturës ose Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe të Entit të për mbrojtje kulturore të Manastirit gjithmonë shkruhet Jeni Xhami – Kisha Shën Gjorgji.

“Domethënë emri i xhamisë nuk është Jeni Xhami, por është emër i dyfishuar që mban edhe atë edhe emrin tjetër dhe nesër pasnesër emri i Jeni Xhamisë do të fshihet nga aspekti i të vërtetës. Gjetëm edhe tapinë e Jeni Xhamisë, por për fat të keq ajo tapi nuk është e verifikuar ose nuk është e vulosur. Për çfarë arsye ne nuk kemi njohuri”, thotë ai.

– Kërkuam drejtësi në gjykatat e vendit, por pa sukses –

Lidhur me këto peripeci Muftiu, Pëllumb Veliu thotë se kishin vendosur që drejtësinë për kthimin e Jeni Xhamisë ta kërkojnë në gjykatat e vendit, por pa sukses.

“Vendosëm që problemin tonë ose lëndën tonë ta japim në gjyq dhe të kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi në organet gjyqësore të Republikës së Maqedonisë dhe filluam procedurën e cila zgjati prej vitit 1998 deri në vitin 2009, pra plot 11 vite. I vetmi shkak që u refuzuam ishte ajo se gjyqi kërkonte dëshmi të pronësisë, sikur vetë xhamia nuk mjaftonte si dëshmi e pronësisë”, thekson Veliu.

Ai mbetet me shpresë se ky problem do të zgjidhet në kuadër të së vërtetës e jo sipas qejfit të dikujt dhe xhamia t’i kthehet BFI-së dhe të jetë në shërbim të besimtarëve muslimanë.

“Besoj se ky problem do të zgjidhet në saje të së vërtetës e jo në saje të qejfit të dikujt, por të vendoset ashtu sikurse e kërkon drejtësia dhe Jeni Xhamia ti kthehet menjëherë BFI-së e cila menjëherë duhet ta vendosë në shërbim të xhematit, në shërbim të faljes së namazit, pra në shërbim të asaj edhe për çka edhe është ndërtuar”, tha Muftiu Veliu.

Ndërsa drejtori i Qendrës Kombëtare për Konservim, Mehmet Selmani për AA thotë se është bërë shkelje e procedurës.

“Mendoj se ka shkelje, sepse ne si Qendër kombëtare amë e trashëgimisë së patundshme në Republikën e Maqedonisë, qendrat lokale janë të obliguara që projektet e këtyre objekteve t’i dorëzojnë në revizon tek ne. Deri tani nuk kemi pasur asnjë kërkesë qoftë nga Drejtoria për Trashëgimi Kulturore, qoftë nga Muzeu i Manastirit. Dhe nëse kemi aty leje, dhe sigurisht se ka leje mbase në pllakatën e shohim se ka leje për konservim. Ka dy leje, leja plotësuese e vitit 2014 dhe leja e sivjetme për konservim”, deklaroi Selmani.

Sipas tij, kjo do të thotë se leja për konservim jepet në bazë të raportit të komisionit për revizion që i bëhet projektit. “Kompetent jemi ne sipas nenit 86 dhe nëse është dhënë leja për revizion nga ndonjë komision tjetër unë mendoj se është shkelje”, thotë ai.

Nga ana tjetër Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) u shpreh se ndonëse nuk ka patur njohuri mbi mosmiratimin e vendimit për revizion në Qendrën kombëtare për konservim thekson se projekti duhet të rishikohet në këtë institucion dhe më pas institucioni i cili është i autorizuar për zbatimin e projektit restaurues të godinës së xhamisë, Enti për mbrojten e monumenteve dhe Muzeu i Manastirit t’i fillojë aktivitetet e veta.

– Procedura duhet të ridefinohet nga fillimi-

“Mbi vete kompetencat i ka marrë Enti për mbrojtjen e monumenteve dhe Muzeu i Manastirit, me ç’rast është shkelur Ligji. Në këtë rast grupi i qytetarëve ose inspektorët Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mund të dalin në terren ta informojnë Ministrinë se ajo leje është jovalide se nuk e ka kaluar, sipas vërtetimeve që marrim nga Qendra kombëtare për konservim, asnjë ekspertizë dhe në këtë rast inspektorët duhet të ndalin këtë punë dhe procedura duhet të ridefinohet nga fillimi”, u shpreh Shehapi.

Ndërkohë Shehapi mohoi akuzat se ai ka firmosur programin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2011, ku është ndërruar emri i Jeni Xhamisë në Kisha Shën Gjorgji, duke u shprehur se drejtori i atëhershëm i Qendrës kombëtare për konservim nuk ka patur kompetenca ligjore që të ndërrojë emrin e xhamisë ose të miraton program.

Ai tha se qeveria duhet të respektojë trashëgiminë osmane në vend dhe thekson se duhet pasur zgjidhje politike mbi këtë çështje.

– Duhet të ketë zgjidhje politike –

“Në këtë shtet, në këtë qeveri nuk ekziston vullnet i mirë. Rasti më eklatant se nuk ka vullnet të mirë, nuk ka respekt ndaj trashëgimisë kulturore osmane dhe njëherit nuk ka respekt ndaj shtetit turk prej ku ka ardhur ajo trashëgimi në këto treva  Duhet të ketë zgjidhje politike. Mendoj se në këtë rast Qeveria e Maqedonisë duhet të marrë parasysh edhe kërkesat nga shteti i Turqisë, duhet të marrë parasysh koshiencën që e ka Turqia ndaj kësaj qeverie”, deklaroi sekretari shtetëror Shehapi.

Ndonëse siç shprehet ai në këtë shtet po kultivohen ato vlera dhe respektohet periudha osmane, por dy rastet në Manastir dhe Prilep duhet të gjendet një zgjidhje, ajo është me një vullnet politik.

“Jeni Xhamia duhet të funksionojë si xhami dhe t’i kthehet BFIM-së dhe duhet të ndërpriten tendencat për asgjësimin e xhamisë apo shndërrimin në diçka tjetër”, tha Shehapi.

Ndërkohë, Jeni Xhamia është ndërtuar në vitet 1552-56 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore ka funksionuar për nevojat e besimtarëve muslimanë, ndërsa menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kjo xhami është uzurpuar nga ana e shtetit të atëhershëm jugosllav komunist. aa

Stoltenberg: Ftesa e NATO-s për Malin e Zi, e rëndësishme për integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor

BRUKSEL – Vendimi i sotëm i ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, që të ftohet Mali i Zi për anëtarësim, sjell që ky vend edhe zyrtarisht të  fillojë procesin e negociatave për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

“Kjo është një ditë e mirë për Malin e Zi, një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe Aleancën”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg me rastin e vendimit.

Që nga viti 2009, NATO-ja dhe Mali i Zi janë duke punuar intensivisht në Programin e Veprimit për anëtarësim të plotë – MAP, që u kurorëzua sot me dërgimin e ftesës.

“Ka edhe shumë punë para nesh”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, dhe shtoi se: “Mali i Zi duhet të vazhdojë më intensivisht rrugën e reformave, duke i përshtatur kapacitetet e saj mbrojtëse, duke punuar për reformuat e përgjithshme të shoqërisë, sidomos kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe për të siguruar mbështetje tek masa e tyre për t’u bashkuar me aleancën ushtarake”.

Negociatat me Malin e Zi për anëtarësim në NATO duhet të fillojnë në ditët e para të vitit të ardhshëm. Pas përfundimit të tyre, aleanca ushtarake dhe Mali i Zi do të nënshkruajnë dokumentin e anëtarësimit, i cili do të hyjë në fuqi pas miratimit të 28 parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s. Pas përfundimit të këtij procesi, Mali i Zi do të bëhet zyrtarisht anëtari i 29 i Aleancës. aa

Davutoglu: Kriza siriane nuk është mes Rusisë dhe NATO-s

Kryeministri i Turqisë tha se marrëdhëniet Turqi-Rusi kanë të bëjnë me interes të ndërsjellë

ANKARA – Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, deklaroi sot në Ankara se kriza në Siri nuk është krizë turko-ruse as krizë mes Rusisë dhe NATO-s.

“Nuk është e mundur të fshihet shkelja e hapësirës ajrore të Turqisë me pohime të pabaza të llojit se Turqia blenë naftë nga ISIS-i, ose me diçka tjetër. Kriza në Siri nuk është krizë turko-ruse, e as që është krizë mes Rusisë dhe NATO-s. Interpretimi i tillë, për fat të keq u shndërrua tash në krizë mes Rusisë dhe Turqisë”, tha Davutoglu në një deklaratë në Ankara para nisjes për vizitë në Republikën Veriore të Qipros.

Kryeministri i Turqisë tha se marrëdhëniet Turqi-Rusi kanë të bëjnë me interes të ndërsjellë.

“Nuk duhet kontribuar për prishje të këtyre marëdhënieve, por nuk duhet pritur nga Turqia që të bëjë koncesione kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e hapësirës ajrore, ose kufirit tokësor dhe detar”, tha Davutoglu sipas të cilit rregullat mbi të cilat veprojnë forcat e armatosura janë të njëjta siç kanë qenë më parë dhe do të mbeten të tilla.

“Detyra kryesore e ushtrisë është të mbrojë kufirin”, ka përfunduar Davutoglu.

Thellohen tensionet Turqi-Rusi

Turqia ka kërkuar nga Rusia që të sjellë prova për pohimet e saj se Ankaraja ka rrëzuar avionin ushtarak rus, në kufi me Sirinë, për të mbrojtur tregtinë e saj të naftës me grupin militant Shteti Islamik (IS).

“Nëse pretendoni diçka, duhet të sillni prova”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ai u është përgjigjur akuzave të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili po ashtu ka thënë se incidenti i javës së kaluar ka qenë “gabim i madh”.

Qeveria e Turqisë ka refuzuar të kërkojë falje për incidentin.

Një pilot rus është vrarë dhe një tjetër ka shpëtuar kur avioni rus Su-24 është rrëzuar nga avionët turq, më 24 nëntor.

Turqia thotë se avioni ka hyrë në hapësirën e saj ajrore, por ky pretendim hidhet poshtë nga Moska.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se provat nga burime të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara tregojnë se avioni ka shkelur hapësirën ajrore turke.

Turqia ka mohuar çdo lidhje me militantët e Shtetit Islamik dhe është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili kryen sulme ajrore kundër grupit terrorist.

Davutoglu: Turqia nuk do t’i kërkojë falje Rusisë

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu tha sot se vendi i tij nuk do të kërkojë falje për rrëzimin e një avioni luftarak rus javën e kaluar përgjatë kufirit Turqi-Siri. Zoti Davotuglu i bëri këto komente pas një takimi në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili theksoi se Turqia ka të drejtë të mbrojë hapësirën e saj ajrore.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu u tha gazetarëve pas një takimi me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel, se forcat turke bënë “detyrën” e tyre për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit. Zoti Davutoglu tha se Turqia nuk do t’i kërkojë falje Rusisë pasi kjo është një çështje kombëtare për vendin e tij.

“Asnjë vend nuk mund të kërkojë nga ne që të kërkojmë falje për incidentin sepse ne bëmë detyrën tonë. Veprimi ynë ishte mbrojtës. Kjo është më shumë një çështje dinjiteti për ne. Ushtria jonë bëri detyrën e saj të mbrojtjes së kufijve tanë”.

Rusia nuk pajtohet me vlerësimin turk dhe thotë se avioni i saj luftarak ishte në territorin sirian kur u qëllua nga forcat turke. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Turqia duhet të kërkojë falje për incidentin.

Duke folur para gazetarëve pas takimit me zotin Davutoglu, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se NATO-ja është zotuar ta mbështesë Turqinë në përpjekjet për të mbrojtur kufijtë e saj.

“Turqia ka të drejtë të mbrojë veten dhe hapësirën e saj ajrore”, tha zoti Stoltenberg.

Kryeministri turk Davutoglu dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATOs Jens Stoltenberg paralajmëruan gjithashtu se incidente të tilla janë të rrezikshme për aq kohë sa Rusia dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara vazhdojnë sulmet ndaj militantëve të Shtetit Islamik.

Turqia rrëzoi një avion rus të martën e kaluar pasi, sipas autoriteteve turke, avioni rus nuk përfilli paralajmërimet për shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë.

Ky është incidenti i parë i këtij lloji që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë dhe ka dëmtuar marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës, dy fuqi të përfshira në luftën në Siri.

Turqia është pjesë e koalicionit të vendeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara që po sulmojnë pozicionet e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, Ajo ka bërë thirrje për largimin e Presidentit sirian Bashar Al-Assad.

Rusia, e cila mbështet zotin Assad, gati dy muaj më parë filloi një fushatë ajrore ndaj kundërshtarëve të presidentit sirian. Megjithëse sulmet ruse kanë në shënjestër pozicionet e Shtetit Islamik, shumica e sulmeve të saj ajrore janë përqëndruar ndaj kundërshtarëve të zotit Assad, përfshirë grupet që mbështet Turqia.

Duke komentuar për sanksionet e Rusisë ndaj Turqisë në përgjigje të rrëzimit të avionit rus, kryeministri turk Davutoglu tha se ai shpreson se Rusia do t’i rishikojë sanksionet ekonomike ndaj Turqisë.

Sanksionet e njoftuara nga Presidenti rus Vladimir Putin kufizojnë importet ruse të disa produkteve turke, ndalojnë zgjatjen e kontratave për turqit që punojnë në Rusi dhe ndikojnë në operacionet e kompanive turke në Rusi.

Aeroplani rus u rrëzua në një zonë të kontrolluar nga rebelët në veri të Sirisë të martën e kaluar. Turqia dhe Rusia nuk pajtohen rreth vijës së tij të fluturimit, Turqia thotë se avioni rus shkeli hapësirën ajrore të vendit ndërsa Rusia këmbëngul se avioni i saj ishte në territorin e Sirisë.

Njëri nga pilotët e avionit rus u vra nga forcat kryengritëse kur po zbriste me parashutë, ndërsa piloti tjetër u shpëtua nga forcat ruse dhe ato siriane. Ankaraja ktheu sot në Rusi trupin e pilotit të vrarë.

Erdogani: Për takimin me Putinin ende jemi duke pritur përgjigje

Presidenti i Turqisë i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve turq në lidhje me takimin me Putinin tha se “Ne si Turqi ditën e parë e kemi bërë kërkesën tonë, jemi duke pritur përgjigje”

PARIS – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në lidhje me një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Paris ka deklaruar se “Ditën e parë e kemi bërë kërkesën tonë, jemi duke pritur përgjigje”.

Erdoğan në kuadër të Samitit të 21-të për Ndryshimet Klimatike pranë OKB-së (COP21) vazhdon kontaktet.

Presidenti i Turqisë i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve turq në lidhje me takimin me Putinin tha se “Ne si Turqi ditën e parë e kemi bërë kërkesën tonë, jemi duke pritur përgjigje”.

Gazetarët turq dhe të huaj të cilët treguan një interes të madh ndaj presidentit Erdogan, u fotografuan me kërkesën e disa delegatëve të shteteve të huaja. aa

Trupi i pajetë i pilotit rus nga Hataja dërgohet në Ankara

Trupi i pajetë i pilotit rus u soll mbrëmë nga Siria në morgun në Hatajë që më vonë gjatë ditës së sotme të dërgohet në Ankara, ku gazetarëve nuk iu lejua xhirimi

HATAJË – Trupi i pajetë i pilotit rus i cili humbi jetën gjatë rrëzimit të avionit pas shkeljes së hapësirës ajrore turke, është transportuar me një avion të ushtrisë së Turqisë, nga Hataja në Ankara.

Trupi i pajetë i pilotit u soll mbrëmë nga Siria në morgun në Hatajë që më vonë gjatë ditës së sotme të dërgohet në Ankara, ku gazetarëve nuk iu lejua xhirimi.

Pas pranimit të trupit të pilotit mbrëmë në spitalin në Hatajë është kryer edhe ceremoniali fetar të cilin e drejtoi kreu i kishës ortodokse në Ataki, Fadi Hurigil.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu mëngjesin e sotëm tha se piloti i cili humbi jetën pas rrëzimit të avionit rus që shkeli hapësirën territoriale të Turqisë iu është dorëzuar autoriteteve turke rreth orës 01:45 të natës.

“Pas pritjes nga klerikët ortodoksë rusë në Hatajë të Turqisë sipas bisedimeve trupi i pajetë i pilotit do ti dorëzohet Rusisë”, tha kryeministri turk.

Avionët luftarakë rusë kanë cenuar hapësirën ajrore turke edhe në fillim të tetorit të këtij viti. Pas këtyre dy rasteve, zyrtarët rusë kanë kërkuar falje dhe janë zotuar se incidentet nuk do të përsëriten.

Turqia po ashtu ia tërhoqi vërejtjen Rusisë lidhur me rregullat e angazhimit të saj në kufijtë jugorë të Turqisë, përfshirë edhe reagimin e mundshëm ushtarak. aa

Tiranë: Kujtohen dëshmorët e luftës

Shqipëria nderoi sot dëshmorët e saj të Luftës së Dytë Botërore gjatë ceremonive të organizuara sot në përvjetorin e çlirimit të saj nga pushtuesit nazifashistë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, dhe autoritetet të tjera shtetërore vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit pranë monumentit Nënë Shqipëri.

Më pas kryeministri Rama dha një pritje me rastin e Ditës së Çlirimit të Atdheut. Ai tha se 29 Nëntori është “një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin, të cilit paraardhësit tanë zgjodhën t’i përkasin kur nisi Lufta e Dytë Botërore dhe ne kemi zgjedhur t’i përkasim sot kur ka nisur një luftë e pangjashme me të dhe me tjetrën përpara saj”.

Zoti Rama përmendi ngjarje si ajo e 7 dhjetorit 1941 mbi flotën amerikane në Pearl Harbor dhe Kartën e Atlantikut si koalicioni më i madh kundër ideologjisë nazifashiste.

“Komunistë, nacionalistë, shumica thjesht patriotë, pjesa dërrmuese të reja e të rinj, me vështrim të kthjellët dhe kurajë të posaçme, e angazhuan kombin tonë në anën e duhur të historisë dhe bënë histori me luftë, gjak, sakrifica dhe mundime të denja për mirënjohjen dhe respektin e gjithë brezave të ardhshëm” – tha zoti Rama.

Ai shtoi se sot njerëzimi kërcënohet haptas nga diçka edhe më e errët se sa nazizmi, se lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve kundër terroristëve, por dhe lufta e çdo qytetari kundër frikës që terroristët duan të kallin në çdo familje.

“29 Nëntori na përçon ndjenjën e krenarisë dhe respektit, për çka bënë shqiptarët, duke e shpëtuar dhe e nderuar Shqipërinë, por dhe kurajën e forcën e madhe të shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri të jetës sonë prej njerëzish të lirë. Armikun e përbetuar të Europës ku ne jetojmë dhe duam të rritemi për t’u bërë anëtarë të denjë të BE” – shtoi kryeministri Rama.

BE jep 3.2 miliardë dollarë për Turqinë

Bashkimi Evropian ra sot dakort për një ndihmë prej disa miliardë dollarësh për Turqinë, për të përballuar fluksin e emigrantëve të larguar prej shtëpive të tyre për shkak të konflikteve dhe luftërave.

Samiti i mbajtur në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, mblodhi së bashku udhëheqës të Turqisë dhe të BE-së për të diskutuar rreth një pakete ndihme me vlerë 3.2 miliardë dollarë. Shumica e emigrantëve sirianë që kanë mbërritur në Evropë gjatë këtij viti kanë kaluar përmes Turqisë drejt Greqisë ose Bullgarisë.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Turqisë Ahmet Davutoglu dhe Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk u tha mediave se “marrëveshja jonë e përbashkët përcakton një plan të qartë për një rikthim të rregullit në kufirin tonë të përbashkët”.

Zoti Tusk tha gjithashtu se do të “rigjallërohen” bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

Turqia është shpallur se përmbush kriteret për anëtarësim në BE që në vitin 1997 dhe ka filluar zyrtarisht proçesin e anëtarësimit në vitin 2005

Kosova rrezikon të shndërrohet në vend autokratik

Që nga fillimi i krizës politike në Kosovë, e cila kishte nisur me sulme retorike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, e më pas veprimet e opozitës përmes hedhjes së vezëve ndaj zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, e deri tek intervenimi i ashpër i Policisë së Kosovës ditën e shtunë në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë se të dyja palët kanë qasje destruktive ndaj bllokimit të punës në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se pas ditës së shtunë, hendeku ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, do të jetë edhe më i madh se deri më tash.

Sipas tij, për këtë hendek kanë investuar edhe pushteti, por edhe opozita. Kosova tashmë, siç thotë ai, po përjeton krizën më të madhe politike që nga viti 1999.

“Një bllokadë të tillë, një gjuhë kaq të ashpër dhe një përdorim kaq të shpeshtë të mjeteve eksplozive, por edhe të forcës policore, nuk e kemi parë asnjëherë deri më tash”.

“Kjo është kriza më e madhe dhe për fat të keq, përveç krizës e cila është aktualisht, kjo e paralajmëron edhe një krizë më të madhe që mund të ndodhë në të ardhmen. Kjo, sepse me këtë spektër politik, me këso qëndrimesh, me këtë ideologji të pushtetit dhe opozitës, shteti i Kosovës do të ketë probleme shumë të mëdha në ecurinë e tij”, thekson Muhaxhiri.

Dren Doli, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit politike në vend deri tek intervenimi i Policisë së Kosovës dhe arrestimi i ish-kryetarit të Lëvizjs Vetëvendosje Albin Kurti, duke vënë në zbatim fletarrestin e lëshuar kundër tij, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, reflektojnë faktin se problemi aktual i Kosovës është se si të ruhet demokracia, që është vendosur nga ndërkombëtarët dhe e cila tashmë u është lënë në dorë institucioneve të Kosovës.

“Këto të fundit po tentojnë që me mjetet e para të dhunës që i kanë në dorë, ta shkatërrojnë atë. Pra, çështja mbi krizën politike, pas veprimeve të së shtunës të policisë, nuk ka të bëjë tashmë me gjetjen e një zgjidhjeje politike”.

“Por, ka të bëjë me mënyrën se si pushteti në Kosovë duhet të reflektojë mbi atë se çfarë dëshiron të ndërtojë në Kosovë, nëse dëshiron ta ndërtojë Kosovën si një demokraci apo nëse dëshiron ta shndërrojë Kosovën në një vend autokratik, të ngjashëm me Rusinë”, konsideron Doli.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se kriza politike, e cila tash e sa muaj po zgjat në Kosovë, ka nxjerrë në pah faktin se politikanët e Kosovës nuk kanë kapacitete politike, e as morale që të vetëdijesohen për faktin se kur është mjaft.

Sipas tij, dërgimi dhe përdorimi i forcave të shumta policore ndaj një subjekti opozitar, është shenjë shumë e keqe për shtetin e Kosovës dhe spektrin politik të saj.

“Tash, pasi që pesë liderët kosovarë nuk po duan dhe nuk kanë as minimumin e vullnetit politik që ta kërkojnë një zgjidhje për këtë bllokadë, atëherë duhet që në skenë të dalë një fuqi politike, e cila është më e madhe sesa pozita dhe opozita kosovare”.

“Ata janë partnerët ndërkombëtarë, Uashingtoni, Brukseli dhe Berlini dhe të bëjnë presion ndaj lidershipit kosovar që ta kërkojnë një zgjidhje. Çdo vazhdim i kësaj bllokade, mund të shkaktojë pasoja edhe në njerëz, por edhe në ndonjë nivel tjetër të konfliktit të armatosur”, shprehet Muhaxhiri.

Analisti Doli vlerëson se secili pushtet e ka të lehtë që krizën politike të tentojë ta zgjidhë nëpërmjetdhunës. Por, sipas tij, edhe për partitë opozitare është e lehtë që duke njohur kapacitetin e dhunës të pushtetit, ta provokojnë atë.

“Problemi në Kosovë është nëse liderët politikë, të cilët kanë detyrimin kryesor për të menaxhuar në baza ditore me institucionet e Kosovës dhe që janë: zoti Thaçi, zoti Mustafa dhe zoti Veseli, janë në gjendje ta kuptojnë rëndësinë e partive politike opozitare dhe ta kuptojnë rëndësinë e demokracisë në Kosovë. Duke e kuptuar këtë rëndësi, t’i japin një shans dialogut politik, duke u ulur me opozitën për të diskutuar çështjet, të cilat këta të fundit po i ngritin”, thotë Doli.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se arrestimi i deputetit Kurti ditën e shtunë, duke vënë në zbatim fletarrestin e lëshuar kundër tij, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, por edhe arrestimi i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Donika Kadaj-Bujupi për të njëjtat veprime, vetëm sa i kanë dhënë opozitës shkak që të barrikadohet edhe më fuqishëm në pozicionin e saj kundrejt pushtetit në vend.

Toka bujqësore në Kosovë po degradohet

Kultivimi i lakrës nga një fermer në Kosovë…

Nga degradimi i tokës bujqësore, përfaqësues të sindikatave të bujqve në Kosovë thonë se Kosova po vihet në një pozitë mjaft të vështirë sa i përket sektorit të bujqësisë.

Ata tregojnë se në vit, deri në 1 mijë hektarë tokë bujqësore shndërrohen në zona industriale, në banesa kolektive apo objekte afariste e komerciale.

Rajonet më të prekura nga ky fenomen, thuhet të jenë përgjatë rrugës Prishtinë – Shkup.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kritikon autoritetet e vendit se nuk janë duke ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie.

“Të gjithë kanë vërejtje, të gjithë konstatojnë se toka bujqësore po uzurpohet, po degradohet, por kjo po vazhdon. Kosova edhe ashtu nuk ka shumë tokë, dhe ne po mbesim pa atë pak tokë bujqësore që kemi. Në shumë prej këtyre tokave janë ndërtuar objekte të ndryshme. Edhe aty ku Ligji i mbron tokat bujqësore, ku është e ndaluar të ndërtohet rreptësisht, edhe aty është ndërtuar”, tregon Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën, e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë për qëllime jobujqësore.

Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

I gjithë ky degradim që i është bërë tokës bujqësore, shton Tahiri, do ta sjell Kosovën në një situatë mjaft të vështirë.

“Kjo do të sjellë varfëri, kjo gjendje e tokës bujqësore në të ardhmen do të shtojë nevojën për importimin e të gjitha produkteve bujqësore, si: gruri, qumështi, misri. Përveç që nuk kemi kushte për t’i punuar këto toka, tash uzurpimi i tokave bujqësore do të ndikojë në zvogëlimin e sipërfaqes të tokës bujqësore, në rënien e kapaciteteve për prodhime bujqësore. Çdo ditë e më shumë po bëhemi të varur nga importi”, potencon Tahiri.

Ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat e regjistrimit të bujqësisë.

Sipas të dhënave të fundit të Regjistrimit të bujqësisë, tokë bujqësore llogariten të jenë 413, 635 hektarë apo 41.9 për qind e gjithsej sipërfaqes së tokës në Kosovë.

Prej gjithsej sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i takon livadheve dhe kullotave, me 54.3 për qind.

Numri i përgjithshëm i personave të angazhuar në bujqësi në Kosovë është 362 700.

Në anën tjetër, ekspertë të politikave bujqësore në Kosovë, vazhdimisht kanë kërkuar të bëhet investim në sektorin e bujqësisë.

Halim Gjergjizi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se bujqësia paraqet një ndër mundësitë kryesore të zhvillimit ekonomik, ngase janë resurset.

“Kosova, fatmirësisht, ka një traditë të gjatë në prodhimtari, ka një klimë mjaft të përshtatshme dhe janë disa parakushte shumë të mira dhe ka kërkesa të vazhdueshme për ushqim. Tregu kosovar është i pangopur me produkte bujqësore, ku edhe shumicën e produkteve bujqësore i importojmë”, shprehet Gjergjizi.

Ndryshe, në programin e Qeverisë së Kosovës, i është dhënë një rëndësi e veçantë zhvillimit të bujqësisë.


Luljeta Krasniqi – Veseli

[email protected]

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Mitrovicë: Shpërthim në veri, një shqiptar i plagosur

Një qytetar shqiptar është plagosur dhe tetë makina janë dëmtuar nga shpërthimi që ka ndodhur sot në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Incidenti ka ndodhur rreth orës 13:00”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.

Sipas tij, shpërthimi është shkaktuar pas aktivizimit të një mjeti shpërthyes.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen multietnike Tre Rrokaqiejt në veri të Mitrovicës.

Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar.

Situata aktuale në Mitrovicë është e qetë. rel

Turqia kthen trupin e pilotit të vrarë rus

Turqia po e kthen trupin e pilotit që vdiq pas rrëzimit të avionit rus që u qëllua me raketë nga forcat turke. Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu tha se trupi u mor të Turqi të shtunën dhe u trajtua sipas traditës orthodokse. Piloti tjetër që ndodhej në avion, i cili doli gjithashtu me parashutë, mundi të shpëtohej. Gjesti i kthimit të trupit të pilotit ndodh ndërsa gjendja e tensionuar tashmë mes Rusisë dhe Turqisë duket se po keqësohet më tej.

Presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Tuqisë, disa ditë pasi Tuqria qëlloi me rakerë, duke rrëzuar avionin luftarak rus, preanë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë.

Zoti Putin nënshkroi të shtunën një dekret, që vendoste sanksione ndaj importit të disa produkteve turke, si dhe pezullimin e rinovimit të kontratave për turqit që punojnë në Rusi.

Por analisti Ahmet Kasim Han thotë se sansionet nuk do të zgjasin shumë:

“Varësia e ndërsjellë mes të dy vendeve është shumë e thellë, prandaj, unë besoj se sanksionet nuk do të zgjasin. Pasi tensioni politik të qetësohet, mendoj se sanksionet do të hiqen.”

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu të shtunën keqardhje për rrëzimin e avionit rus, duke thënë se vendi i tij ndjente dëshpërim të thellë për këtë incident dhe do të dëshironte që ai të mos kishte ndodhur.

Por fakti që Turqia nuk kërkoi ndjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duket se e ka zemëruar Rusinë.

“Përsa kohë që nuk shkelen të drejtat tona sovrane, lufta jonë do të vazhdojë përmes kanaleve diplomatike, duke respektuar ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare.”

Zoti Erdogan tha në një konferencë shtypi se ai shpreson që tensionet mes Turqisë dhe Rusisë të mos shkallëzohen, duke çuar në pasoja  ekstreme.

Presidenti turk, po ashtu përsëriti kërkesën për një takim ballë për ballë me zoti Putin në Paris, ku të hënën fillon Takimi Global për Klimën.

Presidenti rus Putin nuk ka dhënë ende përgjigje pozitive për zhvillimin e bisedimeve. za

Erdogani dhe Putini mund të takohen në Paris

Zyra e Presidentit të Republikës së Turqisë të martën kishte kërkuar të biseonte përmes telefonit me Zyren e Presidentit të Rusisë, por Kremlini nuk ishte përgjigjur

ANKARA – Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit rus, Vladimir Putin mund të takohen në Samitin për Ndryshimet Klimatike në Paris, sipas burimeve nga Zyra e Presidentit të Turqisë.

Të njëjtat burime thanë se oraret e dy presidentëve ende nuk janë përcaktuar.

Zyra e Presidentit të Republikës së Turqisë të martën kishte kërkuar të biseonte përmes telefonit me Zyren e Presidentit të Rusisë, por Kremlini nuk ishte përgjigjur.

Samiti për Ndryshimet Klimatike në Paris do të mbahet më 30 nëntor.

Erdogani – Putinit: Mos luaj me zjarrin

Pamje nga fjalimi i sotëm

 

Presidenti turk Tajip Erdogan ka paralajmëruar Rusinë që të mos “luajë me zjarrin”.

Këto deklarata nga presidenti turk vinë pas rrëzimit të një aeroplani rus këtë javë, por Erdogan ka shtuar se ai nuk ka dashur të dëmtojë marrëdhëniet me Moskën.

Erdogan i bëri këto komente në një fjalim në verilindje të Turqisë, në një transmetim të drejtpërdrejt në televizion.

Avionët turq kanë rrëzuar aeroplanin luftarak të Rusisë, i cili ka qenë duke kryer sulme ajrore në veri të Sirisë.

Një pilot rus ka vdekur nga ky incident.

Turqia insiston se avioni rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore, gjë që hidhet poshtë nga Moska.

Këshilli suprem ushtarak i Turqisë: dialogu diplomatik dhe ushtarak me Rusinë

– Forcat ajrore turke, të martën, më 24 nëntor 2015, rrëzuan një avion rus SU-24 për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore turke, ndonëse pilotët rusë u paralajmëruan dhjetë herë brenda pesë minutave për të ndryshuar drejtimin e fluturimit

ANKARA – Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë njoftoi se në seancën e rregullt të Këshillit suprem ushtarak të vendit është biseduar për ngjarjet të ndodhën në kufirin me Sirinë.

“Në seancën e rregullt të Këshillit suprem ushtarak është biseduar për ngjarjet të cilat ndodhën në kufirin me Sirinë. Në këtë kontekst, është vlerësuar se nevojitet që të mbahen hapur kanalet e dialogut diplomatik dhe ushtarak me Rusinë fqinje dhe të ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar situatat e ardhshme të padëshiruara mes forcave të armatosura të të dyja vendeve”, njoftohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë.

Forcat ajrore turke, të martën, më 24 nëntor 2015, rrëzuan një avion rus SU-24 për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore turke, ndonëse pilotët rusë u paralajmëruan dhjetë herë brenda pesë minutave për të ndryshuar drejtimin e fluturimit

Pas kësaj ngjarje, e cila tërhoqi vëmendjen e opinionit botëror, pati rritje tensionesh mes dy vendeve, por liderët megjithatë arritën të shfrytëzojnë rastin duke porositur se Rusia dhe Turqia janë dy vende mike dhe nuk ka rrezik për ndonjë konflikt serioz. aa

Erdogan: pas rrëzimit të avionit e kërkova në telefon Putinin, por nuk m’u përgjigj

Presidenti turk: Nuk e dinim se avioni ishte rus
VOAL – STAMBOLL, 26 NËNTOR – “Turqia do të kishte reaguar ndryshe, po ta dinte se avioni ishte rus.” Kështu ka thënë presidente turk, Recep Tayyip Erdogan, për Su-24 rus të rrëzuar të martën nga gjuajtësit e Ankarasë në kufi me Sirinë, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch.
Erdogan, në një intervistë në France 24 ka thënë edhe se presidenti rus Vladimir Putin nuk iu është përgjigjur telefonatave të tij pas rrëzimit të avionit. ansa

Erdogan: ISIS naftën që nxjerr ia shet Asadit

ANKARA – Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij me zyrtarët e qeverisjes lokale, ka deklaruar se ISIS-i naftën që nxjerr ia shet Asadit.

Presidenti i Turqisë u shpreh se: “E shet atje, paratë i merr nga ai, ku edhe burimi i parave është i përcaktuar. Ne nuk dëshironim të vinim në këtë pikë. Nëse ka një pikë ku do të kërkohet për armët dhe fuqinë e financimeve të ISIS kjo duhet të jetë regjimi i Asadit, vendet të cilat veprojnë bashkë me të. Ata që kanë nën objektiv grupet opozitare të cilat pranohet si përfaqësues të popullit sirian nga 120 vende, japin një mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj ISIS-it”.

– “Pothuajse nuk ka asnjë vend tjetër përpos Turqisë që lufton kaq seriozisht kundër ISIS-it”

Presidenti Erdogan, duke theksuar se pothuajse nuk ka asnjë vend tjetër përpos Turqisë që lufton kaq seriozisht kundër ISIS-it u shprehur se: “Turqia këtë organizatë që në vitin 2005 e ka njohur si ‘organizatë terroriste’ me emrin e vjetër. Edhe që nga viti 2013 me emrin e ri e pranon nën të njëjtën mënyrë si ‘organizatë terroriste’ dhe gjithashtu kemi vazhduar dhe vazhdojmë pa ndërprerje luftën tonë me këtë strukturë. Për këtë arsye qasja jonë në lidhje me ISIS-in prej kohësh është e qartë. Këtu nuk ka asnjë pikëpyetje. Askush nuk ka të drejtë të na implikojë në këtë temë dhe të bëjë temë diskutimi luftën e vendit tonë kundër ISIS-it”.

Ndihma amerikane për Ballkanin

Shtetet e Bashkuara kanë akorduar mbi 134 milionë dollarë ndihmë për Ballkanin Perëndimor për vitin fiskal 2015, për të mbështetur reformat e nevojshme për integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Këtu përfshihet ndihma për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e  Zi dhe Serbinë, si edhe ndihmën për sigurinë për Kroacinë dhe Slloveninë.

34 milionë dollarë janë akorduar si ndihmë për nisma për shtetin ligjor dhe reforma.

25 milionë janë ndihmë për përmirësimin e organeve të rendit, sigurisë së kufijve, forcimin e kontrollit për tregëtinë strategjike, përfundimin e çminimit dhe shkatërrimin e armëve të lehta.

Për mbështetjen e shoqërisë civile, proceseve politike, medias së pavarur dhe gazetarisë investigative për forcimin e zbatimit të ligjeve kundër korrupsionit dhe institucioneve, janë akorduar 13 milionë dollarë.

22 milonë dollarë janë caktuar për të përmirësuar aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zgjeruar tregëtinë brenda rajonit dhe me Evropën.

Për nxitjen e zbutjes së konflikteve dhe procesin e pajtimit janë caktuar 4 milionë dollarë.

Për integrimin e rajonit në rrjetet evropiane të energjisë përmes reformave rregullatore dhe politikave në këtë drejtim, shtimin e qasjes tek financat dhe energjia e ripërtëritshme dhe për pakësimin e çlirimit të gazeve të dëmshme, janë akorduar 5 milionë dollarë.

28 milionë dollarë janë caktuar për të ndihmuar aspirantët e NATO-s dhe anëtarët e rinj për të plotësuar kërkesat e aleancës dhe rritjen e bashkëpunimit, si edhe pjesëmarrjen në operacionet e koalicionit dhe paqeruajtëse.

Për forcimin e arsimit profesional dhe rritjen e qasjes në arsimin e lartë janë caktuar 3 milionë dollarë.

Në shifrën prej 134 milionë dolarësh është përfshirë edhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë integrimin e Veriut në sistemin e drejtësisë dhe ekonomisë së Kosovës.

Ndërsa për mesazhet kundër ekstremizmit dhe ndihmën për legjislacion kundër luftëtarëve të huaja, buxheti është i veçantë dhe jo i përfshirë në shumën e përgjithshme prej 134 milionë dollarësh.

Përqafimi miqsor i Presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitarovic me Zvpresidentin e SHBA Joe Biden

Voal – Në Forumin Brdo-Brioni ku u takuan liderët e Europës Juglindore mori pjesë edhe Zvpresidenti i SHBA Joe Biden, një sinjal Amerikan se do të jetë i angazhuar në rajon.

Ndërsa shtypi u fokusua tek përqafimi i Presidentes Kroate me Presidentin e Serbisë, ku u nënvizua se Nikolic e puth me “zor tri herë” homologen kroate, fotografët po ashtu kanë fiksuar edhe takimin Grabar-Kitarovic-Biden, të presidentes kroate me Zvpresidentin e SHBA, që nga fotot duket shumë miqsor.  Presidentja e Kroacisë ka një karierë brilante dhe bashkëpunimi me SHBA, ajo ka qenë edhe zyrtare e lartë e NATO-s, asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s ,pastaj të mos harrojmë pastaj se rininë dhe një pjesë të madhe e kryesore të edukimit dhe shkollimit e ka bërë në SHBA.

26-11-2015 08-32-5326-11-2015 08-41-23

Presidenti serb, Nikolic puth ‘me zor’ homologen kroate: Doja t’i mësoja zakonet tona

KROACI- Samiti i Krerëve të shteteve Brdo-Brioni i cili po zhvillohet në Zagreb e ku po merr pjesë edhe Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, po komentohet shumë edhe për shkak të një “incidenti” ndërmjet Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarovic dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikolic. Presidenti serb, e ka puthur Presidenten e Kroacisë thuajse me zor, duke iu imponuar dukshëm.

Askush nuk e ka pritur që Presidenti Nikolic do të jetë kaq i “ngrohtë” me Presidenten e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic e cila është zënë në befasi nga puthjet e tij. Dy palët kohët e fundit kanë acaruar raportet, por Nikolic ka befasuar mikpritësen e tij. Ai e ka puthuar 3 herë atë në mënyrë tradicionale serbe. Presidentja kroate ka dashur ta ndërpresë këtë situatë pasi Nikolic ka realizuar puthjen e dytë, por homologu i saj nuk është ndalur.

NIKOLIC: JA PSE E PUTHA 3 HERË PRESIDENTEN E KROACISË

Pasi videoja dhe momenti kur Tomislav Nikolic puthte presidenten e Kroacisë bëri xhiron e botës, presidetin serb e ka parë të udhës të ‘shpjegohet’ për veprimet e tij. Nikolic ka thënë se e ka puthur homologen për t’i mësuar zakonet e vendit të tij. “Tani ajo e mësoi zakonin serb siç ka pasur rastin më herët edhe ish-Presidenti Ivo Josipovic. Dua që ata t’i dinë zakonet tona, që ne puthemi 3 herë dhe këtu nuk shoh asgjë të keqe” ka thënë Nikolic.

Ali Pashë Tepelena dhe Ibrahim Temo në pullat postare të Maqedonisë

Drejtori i Postave të Maqedonisë, Fadis Rexhepi tha se pullat postare janë të përjetshme, të vetmet vepra arti, ku arti në një hapësirë shumë të vogël por jo të parëndësishme paraqet figura, epoka, veprimtari.

SHKUP – Në shenjë të manifestimeve me rastin e Festës së Flamurit Shqiptar, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në bashkëpunim me Postën e Republikës së Maqedonisë, promovoi pullat e reja postare me dy figurat e historisë kombëtare shqiptare, që lidhen me 150 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Temos dhe 275 vjetorin e lindjes së  Ali Pashë Tepelenës..

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, çmoi lartë bashkëpunimin mes këtyre dy institucioneve që sipas tij ka rezultuar me publikimin e shumë pullave postare nga e kaluara historike dhe kulturore të cilat njëherit pasqyrojnë edhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve të trevave të Maqedonisë.

“Ali Pashë Tepelena doli në skenë në fillim të shekullit të 19-të kur gjithë popujt e Evropës kishin filluar rilindjet e tyre kombëtare për të formuar shtetet e tyre. Këtë ide të shqiptarët e nisi Ali Pashë Tepelena” deklaroi Asani, i cili u ndal edhe te figura e Dr. Ibrahim Temos për kontributin kombëtar të të cilit tha se ka qenë i përqendruar te mërgata shqiptare në Bukuresht ndërsa njihet për pjesëmarrjen e tij në konferencën e Versajës.

Drejtori i Postave të Maqedonisë, Fadis Rexhepi, nga ana e tij tha se institucioni të cilin e drejton ai, respekton vlerat kulturore dhe historike, për çka në programin për botimin e pullave postare ka përfshirë botimin dy pullave me të cilat jep kontributin për dy figurat historike shqiptare.

“Pullat postare janë të përjetshme, të vetmet vepra arti, ku arti në një hapësirë shumë të vogël por jo të parëndësishme paraqet figura, epoka, veprimtari. Është ambasadori i vetëm që i tejkalon kufijtë, kohën dhe largësitë, i bashkon njerëzit dhe fatet e tyre” tha Rexhepi.

Pullat postare janë me vlerë nominale 16 dhe 18 denarë, të shtypura në tirazh prej nga 8000 ekzemplarë secila, ndërsa autor është Llarisa Zhivkovska Donev nga Byroja e filatelisë pranë Postave të Maqedonisë. aa

Analiza e gjurmëve të avionit rus vërtetoi shkeljen e hapësirës ajrore të Turqisë

Sipas informacioneve të marra nga burimet ushtarake turke thuhet se shkelja e hapsirës ajrore të Turqisë nga avioni me kombësi të paidentifikuar duket qartë nga analiza e radarëve

ANKARA – Shkelja e hapsirës ajrore të Turqisë nga avioni rus u vërtetua edhe nga analiza e gjurmëve të radarëve.

Sipas informacioneve të marra nga burimet ushtarake turke thuhet se shkelja e hapsirës ajrore të Turqisë nga avioni me kombësi të paidentifikuar duket qartë nga analiza e radarëve.

Avioni rus edhe pse paralajmërohet disa herë nga forcat ajrore turke nuk e ka lënë hapsirën ajrore të këtij vendi. Nga analiza e publikuar nga Forcat Ajrore të Turqisë duket qartë shkelja e hapsirës ajore të territorit turk nga ky avion.

Ndërkohë në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë thuhet se avioni nacionaliteti i të cilit nuk ishte i ditur ka shkelur hapësirën territoriale të Turqisë. Pasi është paralajmëruar në 5 minuta 10 herë avioni në fjalë nuk e ka lënë hapësirën e Turqisë.

“Në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Turqisë dy avionë të ushtrisë së Turqisë të tipit F-16 kanë ndërhyrë duke e rrezuar atë” thuhet në vazhdim të komunikatës së Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë. aa

Një nga pilotët e avionit të rrëzuar pretendohet të jetë në duart e opozitarëve turkmenë në Siri

Sipas informacioneve opozitarët turkmenë të cilët kanë nisur kërkimet në zonë kanë arritur të kapin një nga pilotët e avionit rus. Opozitarët këtë gjë e vërtetuan edhe nga fjalët e tyre në rrjetet e radiomarrësve

BAIRBUCAK – Pas rrëzimit të avionit rus nga forcat e armatosura të Turqisë në bazë të angazhimeve për mbrojtjen e hapsirë ajrore të vendit dyshohet se një nga pilotët rus është kapur nga opozitarët turkmenë në Siri.

Sipas informacioneve të gazetarit të AA avioni ka rënë në zonën e konflikit mes forcave të regjimit të Asad dhe opozitarëve turkmenë. Ndërkohë edhe pilotët e aviponit të rrëzuar kanë kryer ulje me parashutë në këtë rajon.

Ndërkohë pas rënies së avionit helikopterët janë parë të bënin kërkime në këtë zonë.

Sipas informacioneve opozitarët turkmenë të cilët kanë nisur kërkimet në zonë kanë arritur të kapin një nga pilotët e avionit rus. Opozitarët këtë gjë e vërtetuan edhe nga fjalët e tyre në rrjetet e radiomarrësve

Zëdhënësi i Brigadës Sulltan Abdulhamit Han Mustafa Abdullah tha për gazetarin e AA se avioni ka rënë në një rajon ku as forcat e tyre dhe as ato të regjimit nuk arrijnë të deportojnë. Ai thotë gjithashtu se një nga pilotët ndodhet në duart e tyre.

Përditësim për rrëzimin e avionit luftarak rus në Turqi

Nga burimet të Presidencës së Turqisë mësohet se avioni rusi i tipit Su 24 ka shkelur hapësirën ajrore turke dhe pas disa paralajmërimeve ai nuk e ka lënë këtë hapësirë

HATAJ – Avioni luftarak rus i tipit Su 24 është rrëzuar nga avionët e ushtrisë turke në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e hapsirës ajrore të këtij vendi.

Nga burimet të Presidencës së Turqisë mësohet se avioni rusi i tipit Su 24 ka shkelur hapësirën ajore turke dhe pas disa paralajmërimeve ai nuk e ka lënë këtë hapësirë. Në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e hapësirës së vendit avionët e ushtrisë turke kanë rrëzuar këtë avion.

Ndër të tjera theksohet se në videon e filmuar nga operatorët e AA vërehen momentet e rrëzimit të avionit i cili është rrëzuar në rajonin Bayırbucak të Sirisë, vend ky i cili ndodhet përballë rajonit Yayladağı në Hatay të Turqisë

Gjithashtu në video paraqiten edhe pilotët të cilët janë hedhur me parashutë.

Në rajonin ku ka rënë avioni është vërejtur edhe një tym i madh i ngirtur menjëherë pas rënies së tij.

Presidenti i Turqisëö Recep Tayip Erdoğan menjëherë pas kësaj ngjarjeje ka marrë informacion nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë Hulusi Akar, në lidhje me ngjarjen në fjalë.

Nga ana tjetër Kryeministri i vendit Ahmet Dautoğlu ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë që në lidhje me këtë çëshjte të bëjë ndërhyrjet e duhura në NATO dhe OKB.

Kryeministri Davutoğlu gjithashtu ka marrë informacione nga Gjenerali Akar dhe ministri i Punëve të Jashtme të vendit.

Në një deklaratë të Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë thuhet se avioni nacionaliteti i të cilit nuk ishte i ditur ka shkelur hapësirën territoriale të Turqisë. Pasi është paralajmëruar në 5 minuta 10 herë avioni në fjalë nuk e ka lënë hapësirën e Turqisë. “Në kuadër të angazhimeve për ruajtjen e hapësirës ajrore të Republikës së Turqisë dy avionë të ushtrisë së Turqisë të tipit F-16 kanë ndërhyrë duke e rrezuar atë” thuhet në vazhdim të komunikatës së Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë. aa

Turqia rrëzon një aeroplan rus pranë kufirit me Sirinë

Turqia ka rrëzuar një avioni ushtarak i cili thotë se ka shkelur hapësirën ajrore të saj pranë kufirit me Sirinë.

Raportet e mediave turke sqarojnë se aeroplani i takonte Rusisë.

Një zyrtar ushtarak në Turqi tha se avioni u rrëzua nga F16 turq , dhe se pilotit i është dhënë paralajmërim paraprak . Fati i pilotëve mbetet i paqartë .

Sipas CNN imazhet e filmuara gjatë rrëzimit tregojnë se janë parë dy pilotë tek zbrisnin me parashutë në mënyrë të sigurt në tokë .

Shpërthim i fuqishëm në qendër të Athinës

ATHINË – Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Athinën në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mediat e huaja raportojnë se rreth orës 03:35 minuta të së martës u dëgjua një shpërthim në rrugën “Ksenofondos”, vetëm pak metra larg sheshit “Sindagma”.

Sipas hetimeve të para, policia thotë se objektiv i autorëve të këtij sulmi ishte godina e dhomës së industrialistëve grekë që ndodhet në numrin 5 të rrugës “Ksenofondos” në qendër të Athinës. Policia thotë se persona të panjohur kanë telefonuar në redaksitë e dy gazetave, duke njoftuar për vendosjen e bombës në qendër të Athinës.

Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në Dhomën e Industrive dhe në një hotel ngjitur, por për fat nuk pati njerëz të lënduar. Zougla.gr. shkruan se ajo çka u gjet ishte një pajisje me kurdisje e cila ishte e vendosur në një çantë udhëtimi pranë hyrjes së ndërtesës. Policia në Greqi është gati prej dy javësh në alarm të kuq, pikërisht prej informacioneve se po përgatitet një sulm terrorist dhe telefonata është marrë shumë seriozisht, duke mbyllur brenda pak minutash gjithë qendrën e Athinës.

Emigrantët – një vajzë 4 vjeçare gjendet e vdekur në bregdetin turk

VOAL – BODRUM, 23 NËNTOR – Trupi i një vajze 4 vjeçare u gjet nga disa peshkatarë në brigjet egjeane të Turqisë, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch. Lajmin e dhanë mediat turke, sipas të cilave vogëlushja ishte mes 10 të zhdukurve pas mbyjtes së anijes në afërsi të Bodrumit, ku 5 refugjatë të tjerë u shpëtuan. Në shtator bota mbeti e shtangur nga pamjet e vogëlushit Aylan, refugjatit të vogël sirian 3 vjeçar, edhe ai i gjetur në plazhin e qytetit Bodrum.

Sipas dëshmise së dhënë nga Mirvan Hassan, njërit prej 5 emigrantëve të shpëtuar nga përmbytja, vajza quhej Sena e udhëtonte bashkë me nënën. Trupi i vogëlshes u gjet mes shkëmbinjve të ishullit Katalada, 5 kilometra larg lokalitetit Turgutreis, pranë gadishullit të Bodrumit. Vajza ishte e veshur me pantallona blu e bluzë roze, një veshje e ngjashme me atë të vogëlushit Aylan Kurdi, sirianit trevje4ar që u gjet në shtator në plazhin e Bodrumit, pamjet e të cilit kanë tronditur botën. ansa

Tensione në kufirin greko-maqedonas, disa refugjatë qepin buzët

Në shenjë proteste dhe revolte disa emigrantë nga Irani kanë prerë, kurse disa të tjerë kanë qepur buzët e tyre

GJEVGJELI – Në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, ku nga dita e premte janë të vendosur refugjatët dhe nuk iu lejohet hyrja në territorin e Maqedonisë, gjatë ditës së sotme janë rritur tensionet. Në shenjë proteste dhe revolte disa emigrantë nga Irani kanë prerë, e disa të tjerë kanë qepur buzët e tyre.

Sipas informacione nga terreni emigrantët janë të ndarë në disa grupe. Në grupin e parë janë disa qindra emigrantë nga Bangladeshi, të cilët për AA thonë se “Më mirë të vdesim në hekurudha këtu në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, se sa të kthehemi prapa ku na pret vdekja e sigurtë”.

Në grupin e dytë janë emigrantët nga Irani. Ata janë të shtrirë në hekurudha, ndërsa në shenjë revolte në trupin e tyre kanë të shkruar “FREEDOM”.

Grupi i tretë janë emigrantët nga Maroku, të cilët në shenjë revolte mbajnë në duar një arkivol të ndërtuar nga kartoni, me të cilën simbolizojnë vdekjen e tyre nëse kthehen prapa në vendet e tyre.

Situata aktuale në vendkalimin kufitar greko-maqedonas është e qetë, edhe pse tensionet e refugjatëve, të cilët janë me një numër mbi 2 mijë persona, vazhdon të rritet. Qeveria e Maqedonisë që nga dita e premte vendosi që mos të lejojë hyrjen e emigrantëve në vend, ndërsa procesi i regjistrimit të refugjatëve që vijnë nga vendet e konflikteve zhvillohet normalisht.

Historiania serbe Olivera Milosavljević: Shqiptarët janë autoktonë

Voal – Qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX, stereotipi negativ për shqiptarët ka qenë i shprehur në një sërë librash të autorëve serbë pa ndonjë redaktim të veçantë shkencor.

Më i përhapuri ka qenë, sigurisht, ai për urrejtjen ndaj serbëve.

“Me politikën pushtuese të qeverisë serbe ndaj arbanasve, në kufirin perëndimor të Serbisë janë krijuar marrëdhënie të tilla që në të ardhmen e afërt vështirë mund të pritet paqe dhe gjendje stabile […] shtypi ynë, në një garë katastrofale për të ndihmuar një politikë të referuar dhe ekzekutuar në mënyrë të neveritshme, me muaj dhe vite (ka) përhapur mendime tendencioze për arbanasit […]

Ky është edhe sot mjeti i vetëm me të cilin shtypi shovinist krijon te populli serb urrejtjen ndaj arnautëve “të egër”, duke fshehur, si nepërka këmbët e egërsirës, atë që populli serb ka bërë ndaj tyre. […] Ballkanicus dhe dr. Vlladan [Gjorgjeviqi] kanë shkruar nga një libër të plotë me dëshirë të qartë për ta ndrydhur këtë popull të mjerë arbanas dhe ta dëshmojnë paaftësinë e tij për një jetë të kulturuar dhe kombëtare. […] me qëllim që të dëshmojnë se ai popull si racë, nuk ka sens për jetë të kulturuar dhe të pavarur, ata gjithë atë që në primitivizmin e atij populli ekziston, e paraqesin jo si shprehje të shkallës së historisë në të cilën ata gjenden dhe nëpër të cilat kanë kaluar edhe popujt e tjerë, por si shprehje të paaftësisë së tyre racore për zhvillim kulturor në përgjithësi. […]

Zelli i Ballkanicusit për nënvlerësimin e popullit arbanas si racë shkon deri aty ku rolin historik të Skënderbeut ia atribuon origjinës nga serbja Vojisllava” (Dimitrije Tucoviq [1914] 1980:17-44).

Nuk mund të mohohet se sot shqiptarët konsiderohen si “armiqtë” më të mëdhenj të serbëve. Në qoftë se këtë mund ta shpjegojmë lehtë me ngjarjet aktuale politike dhe me përshkrimin e “karakterit” të tyre nga mediat e pahijshme, është e nevojshme që më seriozisht të analizohen arsyet e përbuzjes së tyre që, ndonjëherë haptas e ndonjëherë fshehurazi, iu janë të ekspozuar gjatë gjithë shekullit XX. Intelektualët bashkëkohorë shkruajnë për shqiptarët kryesisht brenda stereotipit për urrejtjen e “lindur” të tyre ndaj serbëve dhe dëshirës për shkatërrimin e tyre, i cili është produkt i “tipareve”, “primitivizmit” dhe “grabitjes” së tyre dominuese. Autorët e vjetër, megjithatë, kanë insistuar edhe në një element. Kanë tentuar, mes tjerash, që të dëshmojnë se paaftësia e shqiptarëve për një jetë të pavarur shtetërore, përsëri vjen si pasojë e tipareve të tyre në “karakter”.

Ata pohonin se fiset shqiptare nuk kanë nevojë për shtet e as aftësi që të konstituojnë kombin e vet. Andaj, në përputhje me nevojat shtetëroro-politike të Serbisë, zgjidhjen e kanë parë në ndikimet kolonizuese fisnore të cilat, me përfshirjen e shqiptarëve dhe territoreve të tyre në shtetin serb, do të mundësonin trajnimin e tyre për një jetë të civilizuar. Në këtë kuptim, klasifikimi i stereotipave nënçmuese për shqiptarët do të mund të bëhet në këtë mënyrë: “Shqiptarët i urrejnë serbët”: ata kanë veti specifike në “karakter” nga të cilat rrjedh kjo urrejtje; shqiptarët janë konvertuar në masë të madhe, të ashtuquajturit serb të arbanizuar, me të cilat shpjegohen edhe dy “vetitë” e mëhershme. Me këto vlerësime bashkëkohore me rregull shkojnë edhe ato që gjatë gjithë shekullit kanë variuar për shqiptarët të cilët nuk e kanë konstituuar kombin dhe të cilët nuk kanë aftësi civilizuese për organizimin e shtetit të pavarur, e produkti i stereotipit të fundit është edhe argumenti se Skënderbeu është serb.

Me emrin shqiptar, nga mesi i viteve tetëdhjetë, në veçanti janë përdorur fjalët “gjenocid”, “shtypje”, “plaçkitje”, “dhunim”, andaj konotacion negativ ka mbajtur çdo përmendje e pakicave kombëtare në fjalimet politike dhe private. Pas librit për Kosovën të autorit Dimitrije Bogdanoviq të vitit 1985 dhe intervistave të tij të shpeshta po atë vit, të shkruarit për shqiptarët nga ana e intelektualëve serbë, ka qenë e pranueshme vetëm nëse është shkruar në drejtim të dëshmimit të “gjenocidit të planifikuar” ndaj serbëve, ku vetë Bogdanoviq së shpejti është tejkaluar në të ngarkuarit negativ ndaj objektit të analizës.

Bogdanoviq ka riaktivizuar argumentin e vjetër se vendosja e shqiptarëve në tokat serbe nga shekulli XVII deri në kohën tonë, ka lënë “gjurmë të përgjakshme të dhunës në ndërgjegjen historike të popullit serb”, derisa e ka shtjelluar me shembuj shtypjen individuale, plaçkitjen, masakrat dhe “dëbimin e serbëve nga toka e tyre”, si dhe me argumente që baza e dëbimit të shqiptarët duhet të kërkohet në islamizimin e tyre të përcjellë me asimilim dhe “dhunë brutale”.

Ashtu, sipas tij, populli serb është bërë viktimë, jo vetëm të një elementi, por edhe të një “plani për shkatërrimin e tij fizik”. Përhapja e një fotografie të tillë negative në një popull të tërë është bërë përmes vlerësimit të lëvizjes politike shqiptare si “agresive, pushtuese, revanshiste, konservative dhe nacionaliste”, qëllimet e të cilit janë që të shkatërrohet populli serb “me ndihmën e vrasjeve, dëbimit, fshirjes së ndërgjegjes historike”, dhe “ta përvetësojnë tokën serbe” që “me plan ta thyejë dhe rrethojë popullin serb”.

Sipas Bogdanoviqit, teza për prejardhjen ilire të shqiptarëve është raciste sepse me të përcaktohet e drejta e tyre agrare për territoret. Përveç kësaj, duke folur për migrimin e serbëve në Ballkan, për kohën që e shënon si parahistori të shqiptarëve, ai përmend paraardhësit e shqiptarëve duke mos e definuar kush kanë qenë ata (Bogdanoviq [1985] 1990:29–31,139,154,318–325,443–445).

Për Radovan Samarxhiq “arbanasit“ qysh në shekullin e XVI kanë qenë në ekspansion përderisa turqit janë ata të cilët “ua turrin” serbëve “që si pykë shkatërruese të futen në atdheun e tyre të vjetër”. Sipas tij shqiptarët kanë shtypur popullin serb me “vrasje, plaçkitje, me djegien e tërë fshatrave, me vjedhjen e tokës dhe islamizim të dhunshëm” (Samarxhiq, 1989:123,253). As për Marko Mladenoviq, shpesh të pranishëm në publik, gjenocidi dhe aparteid në Kosovë nuk janë të kontestueshëm, e tregimi për prejardhjen ilire është “mjegull arkeologjike” me qëllim që të pretendojnë të drejtën e tyre për “gjoja atdheun e paraardhësve prehistorikë të shqiptarëve të sotëm”. Ai thekson se deri në shekullin XVII në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë, e që deri në Luftën e Dytë Botërore nuk kanë qenë shumicë. “Persekutimi i serbëve nga Kosova e Metohia shtrihet nga të padisiplinuarit deri tek ballistët, pra nga islami deri tek nacionalizmi ekstrem” (Mladenoviq, 1989:63–69).

Sipas këtyre intelektualëve, nuk kontestohet as shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime politike. Dallimi qëndron vetëm në kahun e përdorimit të tyre. Përderisa Bogdanoviq e sheh shfrytëzimin e fëmijëve shqiptarë në “nxitjen” e tyre për të sulmuar fëmijët serb (Bogdanoviq [1985] 1990:312), Mladenoviq e sheh atë në shfrytëzimin e tyre për të arritur dominimin në numër tek shqiptarët (Mladenoviq, 1989:86).

Atanasije Jevtiq thotë se qëllimi i shqiptarëve në Kosovë ka qenë prej kohësh ky: “Sa më shumë tokë, sa më shumë fëmijë dhe sa më shumë armë”, duke theksuar në veçanti “se fëmijët shqiptarë jo vetëm që janë “manipuluar, por në thellësi janë mbushur me urrejtje për gjithçka që është serbe dhe krishtere në Kosovë dhe Metohi”, duke ia atribuuar këtë prindërve, mësuesve, “frymës primitive fisnore” dhe “frymës myslimane” (Jevtiq, 1992:542–544).

Derisa, sipas Bogdanoviqit, shqiptarët kanë qenë mjet në duart e turqve, sipas Nikola Samarxhiqit ata kanë qenë mjet në duart e Kurisë Romake e cila “ka llogaritur në njerëz me fe të dobët, që e shkelin fjalën e dhënë, e të cilët ajo, pa shumë mundime, do t’i kthente në katolikë”. Duke dhënë karakteristikat e veta për shqiptarët, Samarxhiq përmend “natyrën e egër të arbanasve”, “fuqinë fantastike për riprodhim”, “urrejtjen çnjerëzore”, “orgji të përgjakshme” (N. Samarxhiq, 1990:56, 60).

Përndryshe, gjatë viteve ’90, paradigmatik ka qenë shkrimi i Miodrag Joviçiqit në përmbledhjen Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë për serbët dhe shqiptarët në shekullin XX. Shqiptarët janë aty “arnautët”, mizorët dhe grabitësit, me prirjen për dhunë “në gjak”. Edhe për Joviçiqin, islamizimi është përgjegjës për atë se pse shqiptarët kanë fituar nga turqit “carte blanshe që me mizori, grabitje dhe plaçkitje” të terrorizojnë popullsinë serbe.

Duke pranuar tezën se me traditë dhe me akumulimin e përvojës krijohen predispozita të caktuara biologjike dhe nacionale, ai thekson se gjitha shtresave të popullsisë shqiptare “i ka hyrë në gjak dhuna, por edhe urrejtja ndaj popullsisë serbe, e cila është fajtore që është gjallë”. Analiza e ngjarjeve historike si “kthimi i borxheve” këtu ka ardhur më direkt në pah. Edhe pse e pranon se shqiptarët në Mbretërinë e Jugosllavisë “nuk kanë qenë adhurues të regjimit”, megjithatë Joviçiq konstaton “se as për së afërmi nuk i kanë larë borxhet në mënyrë adekuate që i kanë ndaj popullsisë serbe gjatë pushtimit turk”. Në të njëjtin stil të historisë së merituar dhe pamerituar është edhe konstatimi se, duke pasur parasysh përvojat nga e kaluara, “pakicat shqiptare në Serbi, thënë thjeshtë, nuk e kanë merituar autonominë e vet”.

Përkundrazi, atë (pakicën shqiptare) “sipas mendimeve të ndryshme” është dashur që në vitin 1945 “ta vendosin në një karantinë të veçantë” ku ajo do të detyrohej që të ofrojë dëshmi që është e gatshme për bashkëjetesë të civilizuar, e mandej t’u jepet autonomia. Shqiptarët janë “armiqtë e gjakut të Serbisë dhe serbëve”, janë bartës të “shovinizmit dhe racizmit agresiv”, që dëshmon për “pamundësinë e krijimit të kushteve për bashkëjetesë normale të pjesëtarëve të etniteve të ndryshme në Kosovë dhe Metohi”. Ata ndiejnë “urrejtje të thellë ndaj Serbisë dhe serbëve”, e “sjelljen e tyre gjenocidale” e kanë “punë shekullore”. Zgjidhjen e këtij problemi autori e sheh në ndryshimin e fotografisë ekzistuese etnike të krahinës me kthimin e të dëbuarve, me popullim të ri dhe suspendim të autonomisë ekzistuese në kohë të caktuara (Joviçiq, 1991a:138–139,143–146,151–153).

Autorët bashkëkohorë shkruajnë për “inferioritetin historik të shqiptarëve” (Dragiq Kijuk, 1992: 411); për “gjenocidin e hapur ndaj popullit serb”, për të cilën gjë gjatë shekullit XIX janë përdorur “plaçkitje, vrasje, përdhunime dhe rrëmbim të grave të cilat më vonë janë konvertuar në islam” (Batakoviq, 1992a:453); për mostolerancën etnike dhe fetare ndaj serbëve e cila ka qenë “në themelet e gjitha lëvizjeve arbanase” (Batakoviq, 1991:38); për “bujën agresive dhe shkatërruese ndaj çdo gjëje që ishte serbe”, ashtu siç ka qenë “gjithmonë sjellja e tyre, okupuese dhe përvetësuese” (Jevtiq, 1992:542).

Duke iu referuar historisë shekullore të marrëdhënieve “serbo-shqiptare”, sot thuhet se “paraqitja e egër e agresive e nacionalizmit e separatizmit shqiptar rregullisht ndodh kur çrregullohet baraspesha demografike”, që është në natyrën “e organizimit primitiv fisnor” (Glushçeviq, 1992:620), si dhe që shqiptarët në persekutimin e serbëve kanë qenë “më radikal dhe më mizor nga të tjerët <vëllezërit tanë>: ata kanë përdorur mjetet më brutale, sipas traditës së vet muhamedano-turke dhe fashisto-balliste” (Qosiq, 1992a:64).

Qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX, stereotipi negativ për shqiptarët ka qenë i shprehur në një sërë librash të autorëve serb pa ndonjë redaktim të veçantë shkencor. Më i zgjeruar ka qenë, sigurisht, ai për urrejtjen ndaj serbëve. Madje edhe Haxhi Serafim Ristiq i ka përmendur shqiptarët si “armiqtë më të këqij të fesë krishtere dhe torturuesit më të zi të të rinjve të shkretë” (Ristiq, 1864:40), kurse Radosavljeviq Bdin, me disponim të gjerë patriotik, duke numëruar mjetet që gjithë armiqtë e serbëve (komshinjtë) i përdorin në punën e përbashkët për shkatërrimin e serbëve, për shqiptarët shkruan se kanë përdorur “thika, pluhur dhe plumb” (Bdin, 1903:15).

Haxhi-Vasileviq i ka vlerësuar arnautët si “kundërshtarët më të flaktë të serbëve” (Haxhi-Vasileviq, 1906:61), “armiqtë e serbëve” (Haxhi-Vasileviq, 1909a:2), duke thënë se “serbët i vlerësojnë arnautët si armiqtë më të mëdhenj të tyre dhe ata i karakterizojnë me këto fjalë: <serbët janë të ndarë nga turqit (nga turqit e vërtetë) sa ajo lëkura e qepës, e nga arnautët sa lëkura e buallit>“ (Haxhi-Vasileviq, 1913a:143). /DialogPlus/

Olivera Milosavleviq (1951-2015) ka qenë historiane serbe dhe ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Beograd. Është e njohur për qasjen kritike ndaj historiografisë bashkëkohore serbe dhe thyerjen e miteve kombëtare të përhapura në librat e historisë. Teksti i mësipërm është pjesa e parë e një punimi të gjatë të Milosavleviq mbi raportet serbo-shqiptare. /Zhurnal

Novi Sad – gjenden mbishkrime “Kosova është Republikë”

NOVI SAD – Në total 12 grafite me përmbajtje të ndryshme janë gjetur nëpër rrugët e Novi Sadit në Serbi.

Në mesin e grafiteve të fshira në muret e rrugëve të Novi Sadit ishin ato në përkrahje të Republikës së Kosovës, “Kosova është Republikë”, raportojnë mediat në Serbi.

Të tjera grafite ishin shkruar edhe kundër liderit të Lidhjes Social-Demokrate të Vojvodinës dhe kundër Boris Tadiçit, shkruan “Koha.net”.

Mbishkrimet “Kosova është Republikë”, “Liri fashizmit”, “Vdekje popullit”, “Serbia e serbëve” dhe të ngjashme ishin shkruar në rrugën “Limani II” dhe “Ravaniçka”.

Ato janë fshirë më pas nga “Shoqata Anti-Grafit”.

Refugjatët vazhdojnë të protestojnë në kufirin greko-maqedonas

Turma e emigrantëve ekonomik që janë të vendosur në “tokën e askujt”. Ata të revoltuar kërkojnë që tu jepet leje për të vazhduar udhëtimin e tyre të shpresës

GJEVGJELI – Në orët e hershme të mëngjesit në vendkalimin kufitar greko-maqedonas kanë arritur grupe të reja të emigrantëve ekonomikë. Ndërkohë që refugjatëve nga Siria, Afganistani dhe Iraku u lejohet hyrja në territorin e Maqedonisë, ndërsa emigrantët ekonomik tashmë tre ditë nuk u lejohet hyrja në vend.

Turma e emigrantëve ekonomik që janë të vendosur në “tokën e askujt” mes Maqedonisë dhe Greqisë ka arritur numrin deri në mbi një mijë persona. Ata të revoltuar me brohoritjet “Hapini kufijt”, “Ju lutem na ndihmoni”, “Duam liri”… kërkojnë që tu jepet leje për të vazhduar udhëtimin e tyre të shpresës. Nga ana tjetër edhe numri i forcave policore maqedonase dhe greke vazhdon të rritet.

Anëtareja e UNHCR-së, Alexandra Craus bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme rreth 6 mijë refugjatë kaluan kufirin nga Greqia. Ajo mbi gjendjen e emigrantëve ekonomikë të cilët janë të vendosur në anën greke, tha se situata është e tensionuar dhe ka gjasa që të eskalojë.

Përndryshe, duke filluar nga vendkalimi kufitar deri në qendrën e pritjes, vërehen turma të mëdha të refugjatëve të cilët presin të regjistrohen për të vazhduar drejt kufirit verior të Maqedonisë. aa

refugjpolicia

Bosnje – sulmohet me lëndë shpërthyese gjenerali Ante Jeleç

Në qytetin Mostar në jug të Bosnjës ndaj automjetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të BeH-së, Ante Jeleç u hodh një lëndë plasëse

MOSTAR – Në qytetin Mostar në jug të Bosnjës ndaj automjetit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Ante Jeleç u hodh një lëndë plasëse.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kantonit Hercegovina-Neretva në Bosnjë e Hercegovinë, Ljudevit Maric në një konferencë për mediat tha se sulmi mbrëmjen e djeshme ndaj automjetit në autokolonën e gjeneralit Jeleç nuk ka qenë një “akt terrorist” dhe se lënda shpërthyese ka qenë fishekzjarr.

Në ngjarjen e ditës së djeshme në tunelin Salakovac në qytetin Mostar ishte njoftuar se ndaj automjetit të Jelec-it nga një automjet tjetër ishte hedhur një fishekzjarr gjatë lëzizjes i cili për një kohë të shkurtër kishte ngjallur panik.

Maric ka shpjeguar se forcat e sigurisë patën mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë mbledhur provat e nevojshme duke theksuar se hetimet do të vazhdojnë.

Maric ndër të tjera shtoi se në lidhje me ngjarjen u ndaluan tre personat që ndodheshin në automjetin nga u hodhën fishekzjarret. Pas deklaratave ata janë lënë të lirë.

Një natë më parë në një pikë lojërash fati në qytetin Rajlovac në Sarajevë pati një sulm ku humbën jetën dy ushtarë të Forcave të armatosura të Bosnjë e Hercegovinës ndërsa mbetën të plagosur lehtë dy ushtarë të tjerë.

Në deklaratën e Prokurorisë së BeH e cila ka kryer hetimet në lidhje me ngjarjen u theksua se sulmi i armatosur ishte “akt terrorist”. Kjo ngjarje krijoi shqetësime se mund të ishte një “sulm terrorist”.


Send this to a friend