VOAL

VOAL

Davutoglu vizitë në Gjermani, takon kancelaren Merkel

Pas ceremonisë së pritjes, Davutoglu dhe Merkel kaluan në ndërtesën e Kancelarisë Federale për të realizuar takimet kokë më kokë dhe mes delegacioneve

BERLIN – Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, pas takimeve në Davos është nisur drejt Gjermanisë ku është pritur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel me një ceremoni zyrtare.

Pas dy himneve të dy vendeve në ambientin ceremonial në selinë e qeverisë, kryeministri Davutoglu ka përshëndetur skuadrën ceremoniale dhe më pas janë prezantuar delegacionet përkatëse.

Gjithashtu në ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri turk, Yalçın Akdogan, ambasadori i Turqisë në Berlin, Hüseyin Avni Karslıoglu dhe disa deputetë.

Pas ceremonisë së pritjes Davutoglu dhe Merkel kanë kaluar në ndërtesën e Kancelarisë Federale për të realizuar takimet kokë më kokë dhe mes delegacioneve.

Partitë në Preshevë dhe Bujanoc e shqyrtojnë çështjen e zgjedhjeve

Pamje nga Bujanoci

Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Preshevë, Rahmi Zylfiu, ka deklaruar sot se ka marrë ftesë nga Partia për Veprim Demokratik për bisedime për pjesëmarrjen e përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që priten të mbahen në Serbi, por kjo parti ende nuk ka vendosur se a do t’i përgjigjet thirrjes.

Zoti Zylfiu ka thënë se qëndrimi përfundimtar se a do të merret pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, do të merret në organet e partisë, por konsideron se për këtë çështje nuk ka nevojë të ketë nguti, pasi ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve, raporton agjencia Beta nga Presheva.

Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Riza Halimi, u ka dërguar ftesë për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme, të gjitha partive politike shqiptare që veprojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, ndërsa theksohet se bisedimet duhet të nisin më së largu deri më 1 shkurt.

Serbia lejon katër libra leximi në gjuhën shqipe në Preshevë

PRESHEVË – Ministria serbe e arsimit, pas kërkesës së Komisionit për Arsim fillor dhe të mesëm të Këshillit Nacional Shqiptar, ka lejuar për përdorim katër libra për shkollat e mesme të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Preshevë të botuara në Republikën e Shqipërisë.

Librat janë të shkruara nga autorë të Shqipërisë dhe ata kosovarë dhe do të shërbejnë për vitin e parë, të dytë, të tretë dhe vitin  e katër, për gjimnazet e reformuara. Këto janë librat  e vetëm, të cilat, pas më se dy dekadave, do të mund të shënohen zyrtarisht në ditarët shkollorë.

Zejni Fejzullahu, përfaqësues për arsim i Këshillit Nacional Shqiptar, vendimin e Ministrisë serbe të Arsimit e sheh shpresëdhënës edhe për lejimin e teksteve tashmë të bllokuara e që janë të dhuruara nga Ministria Arsimit të Kosovës.

Ndërkaq, Ragmi Mustafa, Kryetar i Preshevës, vendimin e Ministrisë së Arsimit të Sërbisë e ka quajtur vendim politik, që, sipas tij, për arsyetim para botës se Serbia po ua mundëson shqiptarëve furnizim me tekste nga Shqipëria, ndërsa në anën tjetër, bllokon, për më se katër muaj, librat e dhuruara nga Republika e Kosovës.

Për më se dy dekada nxënësit shqiptar në Luginë, në mungesë të librave mësimore, mësojnë me metoda klasike të diktimit, si pasojë e moslejimit të autoriteteve serbe, që tekstet mësimore të importohen nga Kosova e Shqipëria. Katër librat e lejuar pritet që të hynë në përdorim gjatë këtij viti shkollor.

Daçiçi: Dënimi i Ivanoviçit – provë se politika e udhëheq drejtësinë

Pamje e gjykatës në Mitrovicë

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiçi, ka deklaruar sot se vendimi për dënimin e liderit të Nismës Serbia, Drejtësia, Demokracia, Oliver Ivanoviçi, është dëshmi se politika e udhëheq drejtësinë dhe vlerësoi se ky epilog u jep “erë në shpinë ekstremistëve” në të dy anët.

“Për fat të keq dënimi për Oliver Ivanoviçin është edhe një dëshmi se politika udhëheq edhe drejtësinë dhe të drejtën në botë”, tha Daçiq në një dekaratë të shkruar.

Sipas tij, “ky dënim në asnjë mënyrë nuk kontribuon vazhdimit të procesit të stabilizimit në Ballkan”.

Gjykata Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës sot e ka dënuar Oliver Ivanoviçin, me nëntë vjet burg, për kryerjen e krimeve të luftës kundër shqiptarëve në fund të viteve të 90-ta.

Ivanoviçi i kishte hedhur poshtë akuzat.

Ai mund të ankohet ndaj vendimit të sotëm të gjykatës.

Kroacia zyrtarisht kandidon një femër për shefe të OKB-së

Kroacia zyrtarisht e ka nominuar ministren e Jashtme, Vesna Pushiç, për postin e sekretares së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë shteti i parë qe e ka paraqitur një femër për këtë post, i cili gjithnjë ishte mbajtur nga meshkujt, raporton agjencia DPA nga Nju Jorku.

Në letrën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç, e ka nominuar zonjën Pushiç, e cila është edhe zëvendëskryeministre e parë e Kroacisë.

“Zonja Pushiç e ka një karrierë të shquar kombëtare dhe ndërkombëtare, si politikane dhe anëtare e akademisë, që e bënë atë plotësisht të përgatitur për kryerjen e këtij posti të udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale”, ka shkruar kryeministri Milanoviç.

Më herët edhe Maqedonia e ka paraqitur kandidatin e vet, Sërgjan Kerim, që është diplomat dhe biznesmen.

Mandati i sekretarit të përgjithshëm të tashëm të OKB-së, Ban Ki-moon, i kalon gjatë këtij viti.

Dështojnë bisedimet, thellohet më tej kriza në Maqedoni

Isuf Kadriu

Kanë dështuar bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni për datën e zgjedhjeve, duke e thelluar edhe më shumë krizën politike në vend.

Pas bisedave maratonë që kanë përfunduar në mesnatën mes së premtes dhe së shtunës, lideri i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, ka thënë se pa pastrimin e listës zgjedhore, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.

“Nëse zgjedhje të tilla, pa këto kushte, mbahen më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë. Përkundrazi, do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte për mbajtje zgjedhjesh. Do vazhdojmë të luftojmë për një Maqedoni të lirë. Negociatat dështuan, të shtunën do njiheni me detajet”, ka deklaruar Zaev.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, fajin për dështimin e bisedimeve ia hodhi opozitës, pasi, sipas tij, komisionari Johannes Hahn, që ndërmjetësoi negociatat, pas takimeve që kishte me drejtuesit e KSHZ-së, kishte dhënë garanci se nuk ka pengesa për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ka kohë që të përgatitet gjithçka që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. Vetëm një njeri angazhohet që të vazhdojë ta thellojë krizën politike me sjelljen e tij”, ka deklaruar Gruevski, duke akuzuar opozitës për përkeqësimin e gjendjes në vend.

Edhe partitë shqiptare janë shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

Komisionari Hahn ka shprehur keqardhjen e tij për dështimin e bisedimeve.

“Vendi ndodhet në një gjendje shumë të rëndë. Ajo që e pamë në vitin 2015 vazhdon edhe në vitin 2016. Pres që të gjitha partitë t’i përmbahen marrëveshjes së arritur më 2 qershor dhe 15 korrik. Dëshiroj t’i siguroj të gjithë qytetarët se pa marrë parasysh epilogun, ne do të ndihmojmë procesin”, ka deklaruar Hahn.

Dështimi i bisedimeve nënkupton edhe tërheqjen e dorëheqjes së kryeministrit Nikolla Gruevski, pasi ajo ishte kushtëzuar me datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Të premten tjetër Merkel takon kryeministrin turk

Të premten e javës tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel, do ta presë në takim kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka njoftuar sot zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Në qendër të bisedimeve, sipas zëdhënësit Steffen Seibert, do të jetë sulmi i 12 janarit në Stamboll, ku kanë mbetur të vdekur dhjetë persona, shumica nga ta gjermanë.

Të dy udhëheqësit do të diskutojnë edhe për luftën e vendeve të tyre ndaj terrorizmit, si dhe për fluksin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku, si në Gjermani, ashtu edhe në Turqi.

Bisedimet zhvillohen në kuadër të konsultimeve të qeverisë gjermane me qeveritë e disa vendeve, duke përfshirë edhe atë të Kinës dhe Indisë .

Në takimin e 22 janarit pritet të marrin pjesë edhe ministrat e brendshëm, ata të jashtëm, si dhe ministrat e mbrojtjes të të dyja vendeve.

Turqia ka një marrdhënie të veçantë me Gjermaninë, si vend me ekonominë më të madhe në Evropë.

Gjermania është shtëpi për rreth tre milionë njerëz me origjinë turke.

Zaev: Dorëheqja e Gruevskit, fillim i fundit të pushtetit të korruptuar

Partia Maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, dorëheqjen e mbrëmshme të Nikolla Gruevskit nga posti i kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, e ka quajturi fillim i fundit të pushtetit të korruptuar dhe jo demokratik.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski e ka parqitur dorëheqjen të enjten në mbrëmje gjatë një paraqitje televizive para opinionit.

Por, aktin e dorëheqjes Gruevski do ta paraqes edhe në Kuvend, i cili edhe duhet ta miratoj.

“Deklarata e Gruevskit është pranim se për shkak të tij dhe partisë së tij nuk janë zbatuar çështjet kryesore të Marrëveshjes së Përzhinos. Që të zbatohet Marrëveshja e Përzhinos plotësisht, është e domosdoshme që listat zgjedhore të jenë kristal të pastra dhe procesi parazgjedhor. Njeriu i cili ka vendosur për jetë a vdekje, vendosi që kush mund të jetojë i lirë në Maqedoni e kush jo”, është shprehur mbrëmë për mediat në Maqedoni lideri i LSDM-së Zoran Zaev.

Ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që siç ka thënë ai, “bashkërisht ta kthejmë demokracinë, lirinë dhe vlerat evropiane të vendit tonë”.

2015 për Kroacinë një tjetër vit rekord i turizmit

VOAL – ZAGREB, 12 JANAR – Për Kroacinë 2015 ishte një tjetër vit rekord në sektorin turistik, me rritje të madhe, tej çdo parashikimi, të ardhjeve dhe prenotimeve, duke e shndërruar këtë vend në një nga destinacionet verore më të parapëlqyera të Mesdheut, shkruan Voice Of Albanians – voal.ch.

Sipas të dhënave të ministrisë kroate të Turizmit, vitin e shkuar u regjistruan mbi 14 milionë turistë, 8,3 për qind krahasuar me vitin 2014, me pothuaj 79 milionë prenotime, duke shënuar një rritje vjetore 6,8 për qind. Shumica dërrmuese, plot 12 milionë (+8,1%) ishin turistë të huaj.

Bregdeti istrian zë vendin e parë, duke qenë se është zgjedhur nga  një e katërta e atyre që verën e shkuar ishin në Kroaci. Pasojnë plazhet dalmate e Dubrovniku i mrekullueshëm (Raguza e lashtë).
Rritja më e madhe shënohet gjithsesi në kryeqytetin Zagreb (+13 për qind) i cili, edhe pse ndodhet në kontinent hyrjes së vendit në BE më 2013 po bëhet gjithnjë e më interesant si destinacion turistik. ansa

Erdogani: Sulmuesi vetëvrasës në Stamboll, me origjinë siriane

Shpërthim në qendër të Stambollit

Së paku 10 persona janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur si rezultat i shpërthimit në një lagje në qendër të Stambollit, që është e populluar me turistë.

Pamjet televizive nga vendi i ngjarjes i kanë paraqitur disa trupa të shtrirë në tokë. Raportet nga Turqia bëjnë me dije se turistë të huaj, duke përfshirë gjermanë, norvegjezë dhe koreanë të jugut, janë në mesin e të plagosurve nga shpërthimi që ka ngjarë paraditen e së martës.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se në mesin e të vrarëve ka të huaj dhe turq.

“Unë e dënoj fuqishëm sulmin terrorist në sheshin Sultanahmet të Stambollit, i cili është kryer nga një sulmues vetëvrasës me origjinë siriane”, ka thënë presidenti Erdogan.

“Caku i parë i të gjitha grupeve aktive terroriste në këtë rajon është Turqia, ngase Turqia i lufton të gjithë ata me vendosmëri të njëjtë”, ka shtuar presidenti turk.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus ka thënë se sulmuesi vetëvrasës është një sirian i lindur në vitin 1988.

Ai ka shtuar se shumica e viktimave janë të huaj dhe se dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Shpërthimi ka ndodhur pak pas orës 10 të mëngjesit, sipas kohës lokale, në lagjen historike Sultanahmet, pranë Xhamisë së Kaltër.

Zyra e kryeministrit Ahmed Davutoglu, ka ndaluar transmetimin e shpërthimit, duke u thirrur në një ligj i cili lejon masa të tilla kur siguria kombëtare ose rendi publik janë nën kërcënim. Ky veprim, megjithatë, ka shkaktuar kritika.

Davutoglu gjithashtu e ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të sigurisë me zyrtarët dhe ministrat kryesorë. Në mesin e atyre që po marrin pjesë në takim, sipas agjencisë së lajmeve Anatolia, është edhe Ministri i Brendshëm i Turqisë, Efkan Ala dhe shefi i inteligjencës turke, Hakan Fidan.

Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka njoftuar se një burrë norvegjez është plagosur gjatë sulmit, ndërsa Gjermania ka kërkuar nga qytetarët e saj që t’iu shmangen turmave dhe vendeve turistike në Stamboll.

Duke folur në Berlin, kancelaria gjermane, Angela Merkel tha se “ndoshta” shtetas gjermanë ka në mesin e viktimave.

“Ne ende nuk i kemi të gjitha informatat,… por druajmë se qytetarë gjermanë mund të jenë në mesin e të vrarëve, e gjithashtu në mesin e të plagosurve”, ka thënë ajo para gazetarëve.

Militantët kurdë, majtistë dhe islamistë kanë kryer disa sulme në Turqi në muajt e fundit.

Lagjja Sultanahmet është atraksioni kryesor turistik i Stambollit, që përfshin Pallatin Topkapi, muzeun Hagia Sophia dhe Xhaminë e Kaltër.

Policia e ka mbyllur zonën ndërsa auto-ambulancat kanë nxituar për në vendin e shpërthimit. Një polic në vendin e ngjarjes tha se autoritetet po i marrin masat paraprake ndaj një shpërthimi të dytë të mundshëm.

Sulmi i së mërkurës vjen pak më shumë se një vit që kur një sulmuese femër e shpërtheu eksplozivin vetëvrasës në të njëjtën zonë, duke lënë të vdekur një polic dhe duke plagosur një tjetër.

Një grup i majtë fillimisht kishte pretenduar se qëndron prapa këtij sulmi, por zyrtarët më vonë kanë thënë se sulmuesja vetëvrasëse kishte lidhje me militantët islamistë.

Turqia mbetet në gatishmëri të lartë pas një seri sulmesh, që sipas autoriteteve turke, janë kryer nga grupi militant Shteti Islamik.

Në tetor të vitit të kaluar, si rezultat i dy shpërthimeve vetëvrasëse në kryeqytetin turk, Ankara, patën mbetur të vdekur 103 njerëz. Prokurorët thanë se sulmet ishin kryer nga militantët.

Dhuna ka përshkallëzuar edhe në juglindje të Turqisë pas rënies së marrëveshjes dy-vjeçare të armëpushimit, në muajin korrik. Marrëveshja në mes të qeverisë turke dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) ishte prishur pas një sulmi vetëvrasës që kishte lënë të vdekur së paku 30 persona në qytetin Suruc, në kufi me Sirinë.

Sulmi e kishte cak një qendër kulturore, vend në të cilin një grup politik kurd, po e mbante një konferencë për media në ditën e shpërthimit.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila për tri dekada lufton për autonomi të kurdëve, i akuzoi forcat turke të sigurisë se kanë bashkëpunuar me grupin militant Shteti Islamik.

Në Maqedoni një antishqiptar në krye të komisionit antidiskriminim

Profesori maqedonas, i njohur për bindjet e tij antishqiptare, Toni Naunovski është zgjedhur anëtar i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në Maqedoni. Përbërja e komisionit, ku ai bën pjesë, është mbështetur edhe nga anëtari i BDI-së, në Komisionin parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet.

Antishqiptari Toni Naunovski, në mediat proqeveritare maqedonase ka shprehur hapur urrejtjen ndaj shqiptarëve, madje duke i quajtur ata “fashistë, njerëz të egër dhe armiq të vendit”. Në një shkrim të tijin, ai u ka sugjeruar shqiptarëve të Maqedonisë të shpërngulen në Shqipëri, nëse nuk u pëlqen pozicioni që kanë në vendin fqinj.

Partia maqedonase në opozitë, LSDM e ka quajtur një vendim skandaloz të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, zgjedhjen e përbërjes së Komisionit për Mbrojten nga Diskriminimi, ku bën pjesë edhe antishqiptari Toni Naunovski, raporton TCH.

Nga ana tjetër, deputeti i opozitës shqiptare Orhan Ibrahimi, për këtë vendim akuzoi partinë e Ali Ahmetit, BDI, e cila – sipas tij, – është e pafuqishme për të penguar vendimet antishqiptare të qeverisë.

“Është subjekti shqiptar, ai që duhet t’i ndalë propozimet e VMRO-së që janë kundër bashkëjetesës në Maqedoni. Por, meqë Bashkimi Demokratik për Integrim ka shkelur ditë më parë mbi marrëveshjen e garantuar nga faktori ndërkombëtar, me të cilën parashikohej që sekretari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të ishte shqiptar, vendimi i sotëm nuk i bën fare përshtypje BDI-së, pasi nuk e ka problem emërimin e këtij individi”, tha Orhan Ibrahimi, deputet i PDSH-së.

Profesori me bindje antishqiptare, Toni Naunovski është emëruar në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi me propozim të partisë maqedonase, VMRO-DPMNE. Komisioni përbëhet nga 7 anëtarë gjithsej, 5 prej të cilëve maqedonas dhe dy shqiptarë, këta të fundit të propozuar nga BDI-ja.

Mediat ‘ndezin’ debatin Beograd-Zagreb mbi blerjen e armëve Nga Ivana Nikoliç

Ndërsa Serbia dhe Kroacia shkëmbejnë akuza për blerjen e re të armëve, ekspertët paralajmëruan se mbulimi provokues që media po i bën këtij debati po ringjallte një retorikë agresive, e cila mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Gazetat e Beogradit ditën e hënë rritën më shumë mbulimin e tyre sensacional të debatit midis zyrtarëve serbë dhe atyre kroatë që nisi pas lajmërimit të fundit të Zagrebit se ai ka ndërmend të blejë raketa balistike nga Shtetet e Bashkuara.

Faqja e parë e tabloidit “Vecernje Novosti” paraqiti një fotografi të artilerisë serbe, e cila shoqërohej me titullin: “ ‘Nora’ jonë është më e fortë se ‘Panzeri’ kroat” – duke iu referuar obusëve “Nora” dhe tankeve që Kroacia bleu nga Gjermania vitin e kaluar.

Tabloidi “Informer” ndërkohë pohoi se në përgjigje të “provokimeve” kroate dhe të NATO-s, presidenti rus Vladimir Putin ishte i gatshëm të dërgonte dy sisteme raketash në Serbi, “që do ta bënin Serbinë forcën më e madhe ushtarake në rajon”.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç gjithashtu hyri në debat të hënën pas takimit me zv/kryeministrin rus Dmitry Rogozin – një vazhdim i bisedimeve të armëve që Vuçiç pati me Putinin në Moskë në nëntor.

Vuçiç tha se Serbia do të rriste prodhimin e saj të armatimeve këtë vit, por mbetej e përkushtuar për paqe dhe marrëdhënie të mira me fqinjët e saj.

“Raketat balistike dhe platformat e hedhjes së armëve që Kroacia planifikon të blejë kanë një rreze nga 300 deri në 350 kilometra. Mund të shënjestroni nga Zagrebi ose çdo qytet tjetër, çdo qytet që dëshironi në Serbinë qendrore,” tha Vuçiç për agjencinë e lajmeve Tanjug.

“Serbia nuk do të sulmojë kurrë asnjë, por duhet të jetë e aftë të mbrojë territorin dhe qytetarët e saj në çdo moment. Ne po rrimë të qetë, nuk po bëjmë agjë në lidhje me kërcënimet e të tjerëve, të cilët nuk po heqin dorë në blerjen e armëve tepër të fuqishme,” shtoi ai.

Daçiç dhe Vuçiç akuzuan ministrin kroat në largim të mbrojtjes për deklarata ‘skandaloze’.

Debati u përshkallëzua javën e kaluar pasi Ministri i Mbrojtjes në largim në Kroaci Ante Kotromanoviç tha se Vuçiç nuk duhet të nervozohet në lidhje me faktin që Zagrebi po armatoset.

Ministria e jashtme e Serbisë u përgjigj duke shprehur tronditje që Kroacia ishte përfshirë në riarmatosjen “e pakontrolluar”, “duke i dërguar kështu kërcënime të drejtpërdrejta Serbisë”.

Kotromanoviç më pas akuzoi Vuçiçin dhe Ministrin e Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiç se ishin zyrtarë të lartë të një qeverie e cila nisi konflikte në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë në vitet 1990.

Ministria e jashtme e Serbisë e mohoi këtë, ndonëse Daçiç ishte zëdhënës i Sllobodan Millosheviçit në Partinë Socialiste në pushtet dhe Vuçiç ishte Ministër i Informacionit nga viti 1998 deri në vitin 2000 nën regjimin e Millosheviçit.

Shefi i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç u përfshi gjithashtu në debat të dielën, duke thënë se Beogradi po planifikonte të blinte helikopterë, obusë dhe makina të blinduara.

“Edhe ne po armatosemi. Dikush mund të thotë se Serbia po armatoset në mënyrë që ajo mund të kërcënojë sigurinë e disa vendeve të rajonit, por nuk është ky rasti,” tha ai.

Dinko Gruhonjiç, nga Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, tha për BIRN se zyrtarët serbë po ringjallnin armiqësitë e vjetra për të larguar vëmendjen e publikut nga situata e përkeqësuar ekonomike në vend.

“Kroacia për këtë arsye është gjithmonë një armik në krye të detyrës. Kryeartikulli i gazetës “Vecernje Novosti” nuk erdhi krejt papritur, sepse ata gjithmonë presin raste të tilla për të bërë punën e tyre luftënxitëse,” tha Gruhonjiç.

Por ai paralajmëroi se pasoja kryesore e një retorike të tillë mund të jetë “nxitja e mëtejshme e paragjykimeve ndaj kroatëve, sidomos nga të rinjtë e Serbisë”.

Jelena Miliç, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike me bazë në Beograd, CEA, tha për BIRN se deklaratat nga zyrtarët në Beograd nuk ishin në përputhje me “qëndrimin zyrtar të Serbisë – angazhimin e saj për paqen dhe stabilitetin në rajon, që ata kanë një vit që e shtyjnë tashmë”.

“Përveç kësaj, kjo është përsëri e njëjta retorikë e vjetër luftënxitëse”, tha ajo./reoprter.al

Arrestohet një zyrtar boshnjak për ndikim në rastin e Naser Kelmendit

Naser Kelmendi

Një zyrtar i Bosnjës dhe gruaja e tij, janë arrestuar nën dyshimet se kanë bërë përpjekje të ndikojnë në një rast të profilit të lartë, kundër bosit të drogës në Ballkan, Naser Kelmendi.

Bakir Dautbashiq dhe gruaja e tij, Bilsena Sahman, janë arrestuar në Sarajevë, ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit.

Sipas njoftimit, Dautbashiq dyshohet për ndërhyrje në gjykimin e Kelmendit, shqiptar nga Kosova, i cili ka edhe shtetësi të Bosnjës.

Dautbashiq është sekretar i shtetit në Ministrinë e Sigurimit të Bosnjës.

Naser Kelmendi është arrestuar në Kosovë në vitin 2013, me urdhërarrest të Bosnjës.

Ai akuzohet për përfshirje në krim të organizuar dhe gjykimi ndaj tij ka nisur në janar të vitit të kaluar, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Albulena Haxhiu: Sot është mundësia t’i largojmë shkelësit e Kushtetutës

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, edhe sot bënë thirrje për protestë, duke thënë se pavarësisht bindjeve politike, qytetarët duhet të dalin në protestë.  Haxhiu në postimin në Facebook ka thënë se sot është koha të ju tregojmë shkelësve të kushtetutës se ata nuk mund të na përfaqësojnë.

Postimi i plotë i Albulena Haxhiut:

“Të dashur miq,
Pavarësisht bindjeve politike që keni, SOT është mundësia të ju tregojmë atyre që shkelën Kushtetutën se nuk kanë në vend në institucionet e Republikës së Kosovës. SOT është koha që të ju tregojmë shkelësve të Kushtetutës që ata nuk mund të na përfaqësojnë më dhe se ata nuk mund të marrin vendime më për ne! SOT le të ju tregojmë qeveritarëve se nuk i lejojmë të bëjnë pazare me Republikën dhe territorin. SOT nëse jo për vete, le ta bëjmë për të ardhmën e fëmijëve tanë. Le tua lëmë atyre një Republikë me sovranitet dhe një shtet që ju garanton mirëqenie, drejtësi, liri dhe barazi!
SOT në orën 14:00”, shkruan ajo.

Athinë, fillon takimi i ministrit Kotzias me kreun e BDI-së Ahmeti

Ministria e Jashtme greke në ueb faqen e saj zyrtare ka postuar një foto në të cilën thuhet se ministri kryediplomati i Greqisë ka filluar një takim pune me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti

 SHKUP – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i shoqëruar nga zëvendës kryeministrat e Maqedonisë, Musa Xhaferri dhe Fatmir Besimi, dhe deputeti Artan Grubi ka filluar takimin e punës me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, në Athinë.

Ministria e Jashtme greke në ueb faqen e saj zyrtare ka postuar një foto në të cilën thuhet se kryediplomati i Greqisë ka filluar një takim pune me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti që është pjesë e koalicionit qeveritar në Maqedoni, dhe se është shoqëruar nga zëvendës kryeministrat Musa Xhaferi dhe Fatmir Besimi.

Para takimit, zyra për informim e BDI-së njoftoi se Ahmeti dhe Kotzias, do të shkëmbejnë mendime dhe ide rreth marrëdhënieve ndërfqinjësore, çështjeve të hapura midis dy vendeve dhe integrimit Euro-atlantik të Maqedonisë.

Kroaci: Kapiteni serb Dragan akuzohet për krime lufte

Kapiten Dragani në korrik të vitit 1991

Një gjykatë në Kroaci e ka akuzuar ish-komandantin e forcave paraushtarake serbe, Dragan Vasilkoviq, për kryerje të krimeve të luftës gjatë periudhës 1991-95.

Aktakuza u paraqit sot, 6 muaj pasi ky person, i njohur edhe si Kapiten Dragan, e humbi betejën e tij nëntëvjeçare juridike për ta bllokuar dorëzimin e tij nga Australia në Kroaci.

Vasilkoviq është i akuzuar për torturim dhe vrasje të ushtarëve dhe policëve të zënë kroatë në bazën serbe në Knin, në vitin 1991, dhe në Brushka në vitin 1993, dhe për hartimin e planeve për sulm në stacionin e policisë në Glinë dhe fshatrat përreth, në korrik të vitit 1991.

“Gjatë sulmit, ndërtesat civile ishin dëmtuar ose shkatërruar, popullata ishte detyruar të largohet, pasuria ishte plaçkitur dhe civilët ishin vrarë ose plagosur”, ka thënë një prokuror i Kroacisë.

Vasilkoviq është arrestuar në vitin 2006 në Australi, ku ai ka punuar si instruktor i golfit.

Gjykata dënon me katër vjet burg për korrupsion vëllain e ish-presidentit rumun Basescu

BUKURESHT- Vëllai i ish-presidentit rumun, Traian Basescu u dënua sot me katër vjet burg për trafik influence, njoftoi Gjykata e Apelit e Konstancës.

“Mircea Basescu është akuzuar për përfitimin e 250 000 eurove, në vitin 2011, për të ndërhyrë pranë gjykatësve në favor të personit të njohur të krimit të organizuar, Sandu Anghel, i quajtur ndryshe Bercea Mondial”, tha gjykata e sipërcituar.

Sipas prokurorëve të antikorrupsionit, Mircea Basescu, 62 vjeç, kishte shfrytëzuar cilësinë si vëlla i presidentit për t’i dhënë Anghelit një dënim të lehtë në gjykatë.

Ky i fundit, i akuzuar për tentativë vrasje, u dënua me tetë vite dhe nëntë muaj burg. Ndërkohë, Mircea Basescu njoftoi se do të apelonte vendimin e gjykatës.

Gjuriç e quan Kosovën Jeruzalemi i Serbisë

MITROVICË – Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, në Natën e Buzmit në Mitrovicë ka thënë se “në ditën e kremtimit të Kërshëndellave jo vetëm që kujtojmë se jemi të lindur serbë ortodoksë, por duhet që këtë emër tingëllues çdo ditë ta arsyetojmë me punën dhe veprat tona”, njofton B92.

“Që të jemi tamam serbë dhe ortodoksë të Shën Savës dhe të Stefan Deçani, duhet që edhe me veprat tona gjatë vitit të jemi të denjë për këtë. E kjo, ndër të tjera, do të thotë të mësojmë për historinë tonë, traditën e fenë, të mësojmë si kanë jetuar paraardhësit, carët e shenjtë dhe mbretërit tanë, cilat vlera i kanë udhëhequr në jetë dhe i kanë shtyrë ata për të mbijetuar në kushte të vështira të cilat kanë bërë që ne serbët sot të kemi rastin të mburremi me faktin se e kemi Jerusalemin tonë e ai është Kosova jonë”, ka thënë Gjuriq për të shtuar se “ ka shumëçka që secili nga ne mund dhe duhet të bëjë si serb e ortodoks për ta ruajtur Kosovën tonë edhe në vitin e ardhshëm”, transmeton Koha.net.

Në këtë festim, pos ipeshkvit Teodosije kanë marrë pjesë edhe kryetari i të ashtuquajturit organ të përkohshëm të komunës së Mitrovicës Aleksandar Spiriq, prefekti i Mitrovicës veriore Goran Rakiq, ministrat për Kthim e Komunitete dhe të Pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës Dalibor Jevtiq e Ljubomir Mariç.

Daçiç: Kroacia po blen raketa për ta sulmuar Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se Kroacia është duke u furnizuar me raketa balistike, të cilat ndoshta do t’i përdorë kundër Serbisë.

Gjatë një interviste dhënë televizionit serb N1, të cilën e kanë transmetuar edhe mediat kroate, Daçiç ka thënë se “supozohet se armët të cilat Kroacia është duke i siguruar mund të përdoren vetëm kundër Serbisë”, transmeton Telegrafi.

“Nuk besoj se do të qëllojnë, Austrinë, Italinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, por ndoshta Republikën e Serbisë. Nuk e di se për çfarë do t’iu nevojiten ato”, ka shtuar Daçiç.
Përndryshe, Kroacia ka porositur nga Shtetet e Bashkuara, 16 lançues të raketave që mund të ndezin raketat balistike.

21 trupa emigrantësh të mbytur, përsëritet drama e Ajlanit të vogël në Turqi (fotot tronditëse)

Autoritetet turke kanë mbledhur në dy plazhe që lagen nga deti Egje trupat e të paktën 21 emigrantëve, mes të cilëve shumë fëmijë, të cilët kanë vdekur nga fundosja e gomones me të cilën po përpiqeshin të mbërrinin ne Greqi.

Njëmbëdhjetë trupa janë gjetur në brigjet e lagjes Ayvalik, ndërsa dhjetë të tjerë janë gjetur në distriktin e Dikili.

turqi2turqi3

Hakerat turq mbulojnë profilin e ministrit rus të propagandës me fotografi të Ataturkut

Një llogari në rrjetin social e Ministrit të Komunikimit të Rusisë, është bllokuar gjatë ditës pas një sulmi kibernetik nga një grup i hakerëve që e prezantojnë veten si aktivistë turq.

“Lufta” mes Turqisë dhe Rusisë nisi kur një aeroplan luftarak rus ishte bombarduar nga forcat turke në kufirin Turqi – Siri në muajin nëntor. Llogaria e ministrit Nikolai Nikiforov në Instagam është bllokuar nga “The Börteçine Cyber Team”, sipas pamjeve të publikuara nga mediat në Turqi dhe Rusi, raporton Reuters.

Instagrami në të cilin publikohen fotografi dhe video ishte mbuluar me portretin të Mustafa Kemal Ataturkut, babai i Turqisë moderne. Tani llogaria i është kthyer normalitetit dhe, sipas ministrit, ka pasur probleme në skuadrën e tij teknike.

“Personi i Vitit në krim të organizuar” – Politikanët e korruptuar të vitit, që u nderuan me çmimin e krimit të organizuar

“Projekti për raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”- (OCCRP), një rrjet i qendrave investigative, mediave dhe gazetarëve, i ka ndarë Kryeministrit Malazez Milo Djukanovic, një cmim jo shumë të dëshirueshëm për Vitin e Ri.

Sondazhi i tyre vjetor ka nxjerrë fitues kryeministrin jetegjate malajzez me pak vota më shumë se bashkëshortja dhe femijet e presdientit të Azerbajxhanit, Iham Aliyev, për “shpërblimin” e “Personit të Vitit në krim të organizuar”.

Një lider tjetër ballkanik, kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, doli i treti.

“Këtë e shohim si shpvrblim për arritje jetësore”, ka thënë redaktori i OCCRP-së Drew Sullivan.

“Askush, përjashtuar presidentin rus Putin, nuk e ka drejtuar një shtet të varur kaq shumë në korrupsion, krim dhe politika të fëlliqura. Eshtë vërtet dhe thellësisht i kalbur deri në palcë”, ka thënë Sullivan për reagimin e Djukanovic.

Përgjatë një karriere politike qe ka zgjatur pothuajse tre dekada, Djukanovic ka qene kryeminister ose president.

Në vendin e dytë janë rankuar bashkëshortja dhe fëmijët e presidentit të Azerbajxhanit, Ihham Aliyev, kurse në të tretin kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski.

Gruevski drejton vendin prej 9 vjetesh dhe akuzohet per nje mori aferash korruptive.

OCCRP, e themeluar nga Drew Sullivan dhe Paul Radu ne 2006, eshte nje rrjett i perbere nga 22 organizata per raportimet investigative.

OKB – Ballkani Perëndimor në fund të shekullit 21 do të ketë ulje të popullsisë

Sipas raportit të OKB-së të publikuar në ueb faqen e OKB-së, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1.75 milion

Në fund të shekullit 21 Republika e Maqedonisë do të ketë një milion e gjysmë banorë, ose gjysmë milioni më pak nga që ka sot, thuhet në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale”.

Sipas raportit në fjalë të publikuar në ueb faqen e OKB-së, Maqedonia zë vendin e 29-të në grupin e 43 shteteve që përballen me ulje të numrit të popullatës.

Maqedonia në vitin 1950 ka pasur 1.2 milionë banorë, thuhet në raport në të cilin shifra  e vitit 2015 është 2.078.000, numër ky që sipas vlerësimeve do të mbetet i pandryshueshëm edhe në vitin 2030.

Sipas raportit, në vitin 2050 numri i popullsisë në Maqedoni do të jetë më pak për 141.000 banorë, ose 6.8 përqind më pak se në vitin 2015. Në bazë të këtyre të dhënave në vitin 2050 Maqedonia do të ketë 1.9 milion banorë, ndërsa në fund të shekullit do të ketë vetëm 1.480.000.

Sa i përket vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, gati se të gjithë përballen me situatë të njëjtë.

Raporti i Kombeve të Bashkuara për “Perspektivat e Popullsisë Globale” parashikon që numri i popullatës në Shqipëri nga 2.89 milion banorë, në vitin 2100 të reduktohet në 1.75 milion.

BeH në vitin 2100 të ketë 1.91 milionë banorë, Kroacia e cila tani ka 4.24 milionë banorë, në 2100 do të ketë vetëm 2.61 milionë.

Numri i popullsisë së Malit të Zi nga  626 mijë do të reduktohet në 437 mijë banorë.

Serbia që aktualisht ka 8.58 milionë banorë, në fund të shekullit do të ketë 5.33 milionë, thuhet në raportin e Kombeve të Bashkuara.

Bora e parë edhe në Shkup, qytetarët i gëzohen peizazhit të bukur

SHKUP – Viti 2016 në Maqedoni filloi me reshje të borës. Moti me borë i cili gjatë ditës së sotme përfshiu edhe kryeqendrën e Maqedonisë, Shkupin, solli gëzim te qytetarët të cilët shfrytëzuan këto momente të rralla që i ofron bora për t’u zbavitur.

Ashtu si zakonisht, fëmijët edhe kësaj radhe shfaqen më të entuziazmuar nga fjollat e para të borës, ndërkohë të rinjtë bënin foto për ti shpërndarë pastaj në rrjetet sociale.

Ashtu siç informojnë nga Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë, reshjet e borës kanë përfshirë gati të gjithë vendin, si në Tetovë, Kodër të Diellit, Mavrovë, Dellçevë dhe Strumicë, etj.

Sa i përket komunikacionit Lidhja auto-moto e Maqedonisë informon se komunikacioni në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndalesa dhe pa pengesa nëpër rrugë kryesisht të lagështa.

Stamboll, normalizohen fluturimet në aeroportin “Ataturk”

Autoritetet e aeroportit “Ataturk” kanë informuar se vonesat në disa fluturime janë shkaktuar si pasojë e kushteve të këqija të motit

 STAMBOLL – Normalizohen fluturimet në aeroportin “Ataturk” në Stamboll pas ndërprerjeve të shkaktuara nga reshjet e borës të cilat ishin efektive që prej 3 ditësh.

Nga aeroporti bëjnë ditur se në fluturimet e ditës së sotme nuk ka patur ndërprerje të tyre.

Autoritetet e aeroportit “Atatürk” kanë informuar se vonesat në disa fluturime të lira vendore dhe ndërkombëtare janë shkaktuar si pasojë e kushteve të këqija të motit.

Ekipet e Autoritetit të Administrimit të Aeroporteve Shtetërore kanë intensifikuar punimet e tyre për të larguar dëborën dhe për të mbajtur të hapura rrugët e taksive dhe mjediseve të caktuara.

Roja bregdetare turke shpëton 147 refugjatë

Roja bregdetare e Turqisë në dy operacione të ndryshme ka shpëtuar 147 refugjatë, ndërkohë që po tentonin të kalojnë në ishullin grek, Medilli

BALIKESIR – Roja bregdetare e Turqisë në dy operacione të ndryshme ka shpëtuar 147 refugjatë, ndërkohë që po tentonin të kalojnë në ishullin grek, Medilli.

Roja bregdetare turke ka ndërhyrë për shpëtimin e dy botëve të mbushur me klandestinë njëri në Ayvallık dhe tjetri në Dikili të Izmirit. Sipas informacioneve të marra në këto dy bote kishte 147 klandestinë të cilët ishin duke tentuar të kalonin drejt Greqisë.

Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA thuhet se klandestinët ishin me origjinë siriane dhe afgane. 147 klanestinët e nisur nga Ayvallık-u dhe Dikili ishin drejtuar drejt ishullit grek Midilli.

Burimet e rojes bregdetare thanë për gazetarin e AA se ekipet e shpëtimit të rojes bregdetare kanë ndërhyrë në kohë pasi dy botët isihn në rrezik fundosjeje.

Klandestinët e shpëtuar brenda të të cilëve kishte edhe fëmijë dhe gra i janë dorëzuar drejtoridsë policore të Ajvallık-ut. aa

Ish-anëtari i presidencës së Bosnjës akuzohet për krime lufte

Një ish-anëtar serb i presidencës së Bosnjës, është akuzuar për krime kundër njerëzimit si dhe për krime kundër kroatëve dhe boshnjakëve gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Një prokuror boshnjak nga Departamenti për Krime Lufte, tha përmes një deklarate të lëshuar më 31 dhjetor, se Borislav Paravac, është i akuzuar së bashku me tre serbë të tjerë të Bosnjës.

Paravac, i cili ishte pjesë e presidences tre-anëtarëshe të Bosnjës nga viti 2003 deri në vitin 2006, është i dyti anëtar i presidencës që po akuzohet për krime lufte.

Momçillo Krajishnik, i dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, është i pari.

Paravac dhe të tjetërt dyshohen për pjesëmarrje në “sulme sistematike” kundër civilëve kroatë dhe boshnjakë në veri të rajonit Doboj dhe Teslic të Bosnjës, në vitet 1992-1993.

Paravac ishte kryetar i bashkisë së Doboj në atë kohë.

Lufta në Bosnjë i ka lënë të vdekur më shumë se 100 mijë persona ndërsa zhvendosur më shumë se 2 milionë të tjerë.

Borë e madhe në Stamboll, anulohen fluturimet

Kompania ajrore turke Turkish Arirlines i ka anuluar 142 fluturime, drejt dhe nga Stambolli, për shkak të borës së madhe që ka rënë sot.

Shumica e fluturimeve të anuluara janë vendore por janë anuluar edhe fluturimet drejt Evropës dhe Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe Hamburgun, Milanon, Mynihun e Teheranin.

Kompania, përmes një komunikate të lëshuar, ka bërë me dije se borë edhe më e madhe si dhe acar, pritet të ketë edhe gjatë ditës së enjte.

Për këtë arsye, sipas kompanisë, janë anuluar fluturimet në të dy aeroportet, Ataturk dhe Gokcen.

Paralajmërimet se do të ketë borë të madhe janë bërë edhe nga Zyra e Guvernatorit të Stambollit, e cila ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në qytet vetëm në rast të ndojë nevojë.

Bora që ka rënë sot, pritet të mos ndalet deri më 2 janar.

Më shumë se 1 mijë automjete të pastrimit janë duke e pasuruar rrugën dhe qindra të tjera po qëndrojnë në gjendje gatishmërie në mënyrë që sipas, Zyrës së Guvernatorit të Smabollit, të mos bllokohet komunikacioni.

Erdogani e akuzon Asadin për vrasjen e qindra mijëra njerëzve

Pak para nisjes për në Arabinë Saudite, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka akuzuar presidentin e Sirisë si “i pamëshirë” i ka vrarë qindra mijëra njerëz ndërsa e ka kritikuar edhe Rusinë për mbështetjen ndaj presidentit sirian.

Erdogan ka folur para gazetarëve para se të nisej për në Arabinë Saudite ku gjatë ditës së sotme është takuar me Mbretin Selman me të cilin ka biseduar rreth luftës civile dhe energjinë.

Turqia dhe Arabia Saudite janë vende mbështetëse të militantëve që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad. Ky i fundit e ka mbështetjen nga Rusia dhe Irani.

Erdogan tha se qeveria e tij dhe Arabia Saudite janë duke punuar për gjetjen e një zgjidhje politike për Sirinë. Të dyja vendet janë pro një marrëveshje që do ta largonte Bashar al-Assadin nga pushteti.

Mediat në Arabinë Saudite kanë njoftuar se Erdgoan dhe Mbreti Selman kanë diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak si dhe për zhvillimet e fundit në Libi dhe Jemen.

Nikoliçi: Statusi i Kishës Serbe në Kosovë të jetë si i Vatikanit në Itali

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliçi tha se ka propozuar që statusi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të jetë i ngjashëm me atë Kishës Katolike në Itali.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur gjatë një interviste për B92 ku ka folur gjatë edhe për raportet me Kosovën.

“Në platformën time për Kosovën, kam paraparë një zgjidhje për KOS-in që do të duhej të ishte brenda autonomisë esenciale të Kosovës dhe Metohisë, e që nënkupton dhënies e Kishës statusin që e ka Vatikani në Itali”, ka thënë Nikoliq, transmeton Klan Kosova.

Ai bëri të ditur se ky propozim nuk është marrë parasysh fare nga qeveria ndërsa nuk e ka dërguar fare në Kuvend, pasi që ekzekutivi refuzoi të bëjë ndonjë koment rreth saj.

Bosnja: Nuk do të ketë njohje dhe heqje vizash për Kosovën, por do të vendosim regjim të rregullt

Ministri i Jashtëm paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti

SARAJEVË – Nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe as heqje vizash në vitin e ardhshëm, por planifikojmë që me Kosovën të vendosim regjim të rregullt vizash, ka konfirmuar për Anadolu Agency Igor Crnadak, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjes.

“Ajo çfarë duam dhe planifikojmë të bëjmë është që regjimin e vizave me Kosovën, i cili është mjaft i ngurtë dhe parashikon që çdo vizë personalisht ta nënshkruajë ministri i Jashtëm, dhe sipas të cilit aplikimi për viza bëhet vetëm në tri vende, ta ndryshojmë dhe që përpunimin e kërkesave për viza të qytetarëve të Kosovës ta vëmë në regjim klasik vizash me procedurë klasike”, ka thënë Crnadak.

Kryediplomati vuri në dukje se “vizat për qytetarët e Kosovës ende do të vazhdojnë të lëshohen në një letër të veçantë”.

“Ne nuk i njohim as dokumentet e Kosovës, dhe në përputhje me përfundimet e Konferencës së Vjenës edhe kjo mënyrë e re do të jetë kontributi ynë për lëvizjen më të lehtë të njerëzve në rajon”, tha Crnadak.

Ai theksoi se deri më tani lëshimi i vizave për qytetarët e Kosovës është bërë në misionet diplomatike dhe konsullore të Bosnjës në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.

“Do të shikojmë që me këtë rregull të ri të hapet mundësia që në më shumë vende të aplikohet për viza, ndërsa përpunimi i vizave do të jetë në formën klasike konsullore, pa pasur nevojë që për çdo kërkesë të vendosë ministri i Jashtëm”, theksoi Crnadak.

Njëkohësisht, ministri i Jashtëm i BeH paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti.

“Sipas informatave të fundit që kam, kjo është në fazën përfundimtare. Pasi që me letërnjoftimin e Bosnjës mund të udhëtohet në Serbi, Mal të Zi, por edhe në Shqipëri, me Maqedoninë do të rrumbullakosnim një pjesë të rajonit në kuadër të së cilit mund të udhëtohet me posedimin e letërnjoftimit”, ka thënë për AA ministri i Punëve të Jashtme Igor Crnadak.

Turqia dhe Serbia nënshkruan tri marrëveshje bashkëpunimi

Përfaqësuesit e qeverive të Turqisë dhe Serbisë, kanë nënshkruar sot në Beograd tri marrëveshje ndërshtetërore në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe kulturës

BEOGRAD – Përfaqësuesit e qeverive të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Serbisë, kanë nënshkruar sot në Beograd tri marrëveshje ndërshtetërore në fushën e arsmit, shëndetësisë dhe kulturës.

Në prani të kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili po qëndron në vizitë dy ditore zyrtare në Serbi dhe kryeministrit serb Aleksander Vuçiç, në pallatin ‘Serbia’ në Beograd u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi që ka të bëjë me bashkëpunimin në sferën e arsimit dhë përparimit shkencorë mes universitetit të Beogradit dhe Agjencisë së Turqisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA).

Marrëveshja nga sfera e shëndetësisë u nënshkrua nga ministrat resor, Zlatibor Lonçar dhe Mehmet Muezzinoglu dhe nënkupton një donacion në vlerë prej 160 mijë doza të vaksinës kudër paralizës tek fëmijët.

Memorandumi për mirëkuptim lidhur me restaurimin e kalasë Ram në afërsi të qytetit Pozharevac u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Yalcin Akdogan dhe zëvendëskryeministrit të Serbisë, Rasim Ljajiç.

Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu ka mbërritur sot për një vizitë dyditore zyrtare në Serbi.

Avioni i kryeministrit Davutoglu ka ateruar në Beograd në mesditë, ndërsa për ta pritur kishin dalë kryeministri serb Aleksandar Vuçiç dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiç.  Delegacioni i kryeministrit të Turqisë përbëhet nga afaristë të shumtë turq të cilët do të jenë pjesë e forumit të punës mes afaristëve turq dhe serb. aa

Davutoglui në Serbi për potencialet, mekanizmat dhe projektet për investimet turke

Davutoglui do të marrë pjesë edhe në hapjen e Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” në Beograd, ndërsa të martën do të vizitojë edhe Novi Pazarin

BEOGRAD – Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoglu ka mbërritur sot për një vizitë dyditore zyrtare në Serbi.

Avioni i kryeministrit Davutoglu ka ateruar në Beograd në mesditë, ndërsa për ta pritur kishin dalë kryeministri serb Aleksandër Vuçiç dhe shefi i diplomacisë Ivica Daçiç.  Delegacioni i kryeministrit të Turqisë përbëhet nga afaristë të shumtë turq të cilët do të jenë pjesë e forumit të punës mes afaristëve turq dhe serb.

Pjesë e delegacionit është edhe zëvendëskryeministri, Yalcin Akdogan, ministri i Jashtëm Mevlut Çavushoglu, ministri për komunikim, detari dhe trafik, Binali Yildirim, ministri i Ekonomisë, Mustafa Elitas dhe ministri i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinoglu.

Kryeministri i Turqisë në Serbi po qëndron me ftesë të homologut të tij serb, ndërsa pritet nënshkrimi i disa marëveshjeve ndërshtetërore nga lëmi i arsimit, shëndetësisë, riparimi i objekteve kulturore-historike etj.

Mes tjerash, Davutoglu dhe Vuçiç do të bisedojnë edhe për çështjet rajonale dhe globale. aa

Erdogan akuzon Iranin për politika sektare në Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Iranin për politika sektare në Sirinë fqinje, duke vënë peshën e tij pas presidentit sirian, Bashar al-Assad.

“Nëse Irani nuk do të qëndronte prapa Assadit për arsye sektare, sot ndoshta nuk do të diskutonim për çështje si Siria”, ka thënë Erdogan në një adresim televiziv.

Irani dhe Turqia janë në anët e kundërta të konfliktit sirian.

Ankaraja mbështet rebelët që luftojnë Assadin dhe i është bashkuar koalicionit ndërkombëtar, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili bombardon caqet e militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Irani shiit, ashtu si edhe Rusia, është mbështetës i madh i Assadit, i cili i takon sektit alavit të Islamit shiit.

Erdogan ka akuzuar Rusinë dhe Iranin, ashtu si edhe Shtetin Islamik dhe luftëtarët kurdë të Sirisë për “masakrimin e njerëzve të pafajshëm” në Siri.

Ai ka thënë se grupet e tilla si Shteti Islamik dhe luftëtarët kurdë janë “instrumete të luftës për pushtet global”.

Serbi, 79 të arrestuar për korrupsion

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka bërë të ditur se forcat policore serbe kanë arrestuar 79 persona në një aksion kundër korrupsionit.

Sipas tij, në mesin e të arrestuarve janë një ish-ministër, dy ish-zëvendësministra, disa kryetarë dhe ish-kryetarë komunash, disa drejtorë të kompanive publike dhe disa biznesmenë.

Stefanoviq ka thënë se të gjithë ata janë arrestuar nën dyshimet se në vitin 2004 kanë kryer disa vepra penale, me të cilat kanë dëmtuar shtetin për më shumë se 100 milionë euro.

Ai ka shtuar se aksioni është kryer me qëllim parandalimin e krimit financiar dhe të korrupsionit.

Mediat serbe e kanë vlerësuar këtë si aksionin më të madh kundër korrupsionit në Serbi.

Gjukanoviçi i përgjigjet Nikoliçit: Nuk pranoj tone të larta nga Beogradi

Pas deklaratave të djeshme të presidentit serb Tomislav Nikolic për shtetin e Malit të Zi, duke e konsideruar shtetin bregdetar si lodër dhe se do ta humbë pavarësinë me vetëdije duke i pranuar të gjitha kombinacionet për tu bërë anëtare e NATO-s, ka reaguar kryeministri malazez.

Milo Gjukanovici ka thënë se është i befasuar nga presidenti serb dhe deklaratat e tij, që ai i kishte lexuar si pjesë paraprake e një interviste të Nikolic për Sputnik, transmeton Koha.net.

Gjukanovici me një dozë dyshimi mbi intervistën ka thënë se po të jetë ashtu siç ka lexuar, do të jetë mjaft i befasuar dhe se nuk pranon asnjë ton të lartë nga Beogradi. Ai më tej ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë integrimin në BE dhe NATO.

‘Tronditet’ Shkupi, arkivoli me të vdekurin brenda bie në mes të bulevardit

SHKUP – Kryeqendra e Maqedonisë është tronditur nga një incident jo i zakonshëm. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur dje në orët e pasditës në Shkup ku një pacient që kishte vdekur në një spital në Shkup, është transportuar me furgon deri tek adresa e familjarëve të tij, të cilët më pas e kanë planifikuar varrimin e tij.

Mirëpo gjatë transportit nga furgoni i specializuar, për një çast ka rënë arkivoli në mes të rrugës, shkruan “Zhurnal”.

Arkivoli ku gjendej trupi i pajetë ka rënë në mes të rrugës dhe ka bllokuar bulevardin “Arradhat partizane”, 3 km në largësi nga Qendra e Shkupit. Drejtuesit e mjeteve të tjera janë trembur nga rënia e arkivolit, dhe kanë ndërprerë lëvizjet e tyre.

Dëshmitarët okularë të cilët janë ndodhur në vendin e ngjarjes janë shokuar nga pamja trishtuese, madje disa fëmijë kanë filluar të bërtasin.

Ulqin, shkrumbohet autobusi i turistëve shqiptarë

Flakët e zjarrit që kanë nisur në pjesën e motorrit janë përhapur me shpejtësi në të gjithë autobusin, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. I gjithë autobusi është shkrumbuar teksa automjeti ishte duke lëvizur në aksin dytësor Ulqin-Tivar.
Ndërsa sipas policisë dyshohet se shkak për djegien e autobusit është bërë një defekt teknik tek automjeti. Ndonëse fillimisht mes pasagjerëve u krijua nga kaos, ata kanë zbritur me shpejtësi nga autobusi duke i shpëtuar flakëve të zjarrit.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin ku u dogj autobusi kanë shkuar forcat e policisë rrugore të shtetit malazez e cila ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarje.


Send this to a friend