Fëmija 4-vjeçar shqiptar që qëllimisht u shkel me makinë, bashkë me prindërit e tij, nga një maqedonas në Kumanovë, është në gjendje kritike dhe për këtë arsye disa mediume shqiptare në Maqedoni kanë thirrur shqiptarët e Kumanovës që “të ngrihen në këmbë”, raporton GazetaExpress.
“Fëmija 4 vjeçar nga Kumanova që u shkel nga maqedonasi po i numëron orët e fundit të jetës, qytetarët e Kumanovës të ngriten në këmbë si ato në Gjorçe Petrov?”, ka shkruar zhurnal.mk, ndërsa tekstin e kanë marrë, me të njëjtin titull dhe përmbajtjen e tërë, edhe mediume të tjera.
Në një tekst që më shumë se raport gazetaresk paraqet thirrje luftënxitëse, përshkruhet në detale gjendja e rëndë e fëmijës dhe bëhen paralele me një rast prej para dy viteve në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, kur një i ri shqiptar në rrethana jo shumë të qarta vrau një maturant maqedonas.
Naser Eshtrefi, i cili vrau maturantin Angel Petkovski, para dy muajve nga gjykata e Shkupit u dënua me 14 vjet burg, megjithëse pohonte se vrasjen e ka kryer në vetëmbrojtje.
Maqedonasit e Shkupit pas vrasjes në fjalë, më 20 maj 2014, u ngritën në protesta të mëdha, duke u ballafaquar me policinë dhe duke djegur dhe dëmtuar disa objekte të shqiptarëve në Shkup.
“Shqiptarët e Kumanovës po lejojnë terrorin e paparë të cilën e ushtrojnë maqedonasit. Para dy vite kur në Gjorce Petrov të Shkupit në rrethana të paqarta u vra një maturant maqedonas nga një shqiptar i fshatit Gërçec të Shkupit, menjëherë maqedonasit organizuan protesta të dhunshme duke i djegur të gjitha dyqanet e shqiptarëve dhe duke i rrahur gratë shqiptare.
Mirëpo tani para disa ditëve në afërsi të Spitalit të Kumanovës nga një mosmarrëveshje verbale një qytetarë i Kumanovës ka vendosur që ta shkelë familjen shqiptare, madje Zhurnal nga burime të sigurta mëson se fëmiu shqiptar i moshës 4 vjeçare është duke i dhënë shenjat e fundit të jetës”, shkruan Zhurnal, duek bërë vërejtje se “ndaj kësaj tragjedie asnjë organizatë shqiptare dhe parti politike nuk ka organizuar ndonjë protestë në Kumanovë”
Portali rikujton rrëfimin e babait të fëmijës, i cili tregon se incidenti i rëndë ka ndodhur pas një zënke në spitalin e qytetit rreth rendit për hyrje te mjeku.
Personi që shkaktoi incidentin është arrestuar dhe atij i është shqiptuar masa e arrestit prej 30 ditëve.