VOAL

VOAL

Vuçiç: Do të presim ende për asociacionin e komunave serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se serbët do të presin edhe tre muaj e gjysmë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke i dhënë drejtim tjetër një ultimatumi të përfaqësuesve të serbëve se do të themelojnë vet këtë asociacion, nëse Prishtina dhe Bashkimi Evropian nuk e bëjnë këtë deri më 20 prill.

Ai i bëri këto komente në prag të vizitës në Beograd të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini e cila ndodhet në një vizitë në Ballkanin Perëndimor pas publikimit të raportit më të ri të Komisionit Evropian për përparimin e këtyre vendeve në rrugën evropiane.

Presidenti serb i tha televizionit shtetëror të Serbisë se dyshon që Prishtina do të përmbushë paralajmërimet e bëra ditë më parë se brenda katër muajsh do të hartohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kanë thënë se për tre muaj e gjysme do të dalin me statutin. Do të presë Serbia edhe këtë, po nuk do ta shihni statutin për tre muaj e gjysmë. Po e mashtrojnë opinionin ndërkombëtar, opinionin e atyre që e kanë krijuar pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Presidenti serb tha se serbët e Kosovës nuk do të fillojnë nesër apo pasnesër me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por do të presin afatin e vendosur nga Bashkimi Evropian.

Më 27 mars, Lista serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, vendosi të largohet nga qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe paralajmëroi se do të fillojë vet ngritjen e asociacionit të komunave më shumicë serbe nëse Prishtina dhe Bashkimi Evropian nuk e bëjnë një gjë të tillë deri më 20 prill.

Qëndrimi i saj pasoi një ndërhyrje të policisë së Kosovës më 26 mars në veri duke arrestuar dhe dëbuar shefin e zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë në Kosovë pa lejen e Prishtinës.

Veprimi nxiti reagime të ashpra të Beogradit i cili akuzoi edhe fuqitë perëndimore për mbështetje të ndërhyrjes së policisë së Kosovës.

Marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumice serbe është pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara më 19 prill të vitit 2013 në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Çështja e asociacionit ishte pjesa më e vështirë e bisedimeve për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve. Autoritetet në Prishtinë thanë se komunat mund të ndihmojnë njëra tjetrën në fushat e shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik e të ngjashme.

Ndërsa Beogradi tha se “bashkësia e komunave serbe do të ketë kryetarin, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin dhe do të ketë përgjegjësi të gjera. Ajo do të vendosë për shëndetësinë, arsimin, planifikimin urban e rural dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa Serbia ka të drejtë ta financojë atë pa taksa”.

Në dhjetor të vitit 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pas një periudhe tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare të cilat bllokuan punën e parlamentit duke theksuar se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dëmton shtetin e Kosovës.

Në fillim të këtij muaji autoritetet në Kosovë thanë se kanë vënë në veprim ekipin që do të hartojë statutin e këtij asociacioni.

Avionët turq “ngacmuan” helikopterin e kryeministrit grek, Tsipras mesazh të prerë Turqisë

ATHINË – Pas tensioneve të fundit midis Greqisë dhe Turqisë, kryeministri grek Alexis Tsipras dërgoi një mesazh të vendosur në Turqi duke paralajmëruar se megjithëse Greqia mirëpriti dhe kërkoi bashkëpunim, nuk do të largohej nga konfrontimi për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të saj sovran.

“Nuk do të pranojmë të negociojmë as për një centimetër të vetëm të vendit tonë. Ky vend është një vend ku ata që kanë jetuar gjatë shekujve dinë si ta mbrojnë atë”, shtoi ai.

Mbrëmë u raportua se dy avionë luftarakë turq “ngacmuan” helikopterin “Chinook” me të cilin udhëtonte kryeministri grek Aleksis Cipras, dhe shefi i Forcave të Armatosura Evangelos Apostolakis.

Siç shkruante “Ekathimerini”, ata ishin duke fluturuar nga ishulli Ro në Rodos të martën pasdite. Sipas medias greke, avionët luftarakë turq iu afruan helikopterit grek. Në këtë moment, avionëve luftarakë turq u është kërkuar të tërhiqen. Nisur nga situata, piloti njoftoi menjëherë kryeministrin grek dhe shefin e Forcave të Armatosura, të cilët kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse. Pas këtij veprimi avionët turq u tërhoqën.

Erdogani njofton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Turqi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se zgjedhjet në Turqi do të mbahen më 24 qershor, më shumë se një vit më herët se ishin planifikuar fillimisht.

Ai ka thënë se shteti ka nevojë urgjente për kalim në presidencë ekzekutive.

Sipas tij një ndryshim i tillë është i domosdoshëm për të ardhmen e shtetit.

Erdogan ka njoftuar për këtë vendim pasi ka biseduar me udhëheqësin e partisë nacionaliste, MHP, Devlet Bahceli.

“Ndonëse presidenti dhe Qeveria janë duke punuar për harmonizim, sëmundja e sistemit të vjetër po na konfronton në çdo hap”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv.

“Zhvillimet në Siri dhe vende tjera e kanë bërë urgjente që të ndryshojmë sistemin ekzekutiv në mënyrë që të marrin vendime për të ardhme më të fuqishme të shtetit tonë. Ne kemi diskutuar thirrjen e Bahcelit me autoritetet relevante. Ne kemi ardhur në përfundim se duhet t’i konsiderojmë pozitive zgjedhjet e reja”.

Vitin e kaluar Erdogan ka fituar një referendum për të ndryshuar kushtetutën dhe për krijimin e presidencës ekzekutive.

Sidoqoftë këto ndryshime nuk janë të zbatueshme deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale ishin caktuar fillimisht për nëntor të vitit të ardhshëm.

Turqi, kreu opozitar thirrje për zgjedhje të parakohshme

ANKARA – Kreu i Partisë Lëvizja Nacionaliste (MHP) në Turqi, Devlet Bahçeli, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme më 26 gusht të këtij viti.

“Duhet të dihet se MHP kërkon zgjedhje të parakohshme pas miratimit të ligjeve rregulluese”, tha Bahçeli në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij.

“Shkuarja e popullit turk në zgjedhje më 26 gusht të vitit 2018, ditë e diel, pra, në përvjetorin e Fitores së Malazgirtit dhe Ofensivës së Madhe, me një frymë të re të fitores; përgjigja e merituar që do t’i jepet armiqve në zgjedhje edhe presidenciale, edhe parlamentare, është rruga më e arsyeshme, më e logjikshme, më racionale dhe më demokratike”, tha Bahçeli.

Ndërkaq, presidenti Recep Tayyip Erdoğan, i pyetur në lidhje me këtë thirrje nga gazetarët para një mbledhjeje të grupit parlamentar të partisë së tij në Ankara, tha se nesër do të zhvillojë takim me liderin e MHP-së, Bahçeli.

Më 16 prill 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Zgjedhjet e njëkohshme parlamentare dhe presidenciale për mandatin pesëvjeçar në pajtim me ndryshimet e reja kushtetuese janë planifikuar të mbahen në nëntor të vitit 2019. aa

Vuçiçi takon shefin e inteligjencës ruse, diskutojnë për situatën në Ballkan

“Dy bashkëbiseduesit janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe aktiviteteve në sektorin e sigurisë dhe të inteligjencës”

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe drejtori i Shërbimit të Jashtëm Inteligjent të Rusisë, Sergej Jevgenjeviç Narishin, kanë realizuar një takim në Beograd, ku kanë diskutuar për situatën e sigurisë në rajonin e Ballkanit, në Evropë dhe botë.

Siç thuhet në kumtesën të kabinetit të presidentit të Serbisë, dy bashkëbiseduesit janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe aktiviteteve në sektorin e sigurisë dhe të inteligjencës.

Në mbledhjen e mbajtur në Presidencën e Serbisë, ka marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion, Bratisllav Gashiç. aa

Ministri Zenka: Shqiptarët e Malit të Zi të gëzuar për fitoren e Gjukanoviçit

Mali i Zi- Ministri për të Drejta dhe Pakica në Qeverinë e Malit të Zi nga Forca ‘Shqiptarët e vendosur’ dhe kryetar i Unionit shqiptar, Mehmet Zenka, ka falënderuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Tiranën zyrtare për sugjerimet dhe thirrjet drejtuar shqiptarëve me të drejtë vote në Mal të Zi, për ta mbështetur kandidaturën e Millo Gjukanoviç.

Zenka tha për Radio Dukagjinin se thirrjet e kryeministrit të Kosovës Haradinaj, apeli i Tiranës zyrtare dhe dëgjueshmëria e elektoratit shqiptar, e ndaluan frymën ruse në Mal të Zi.

“Dha rezultat thirrja e hapur kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, gjithashtu dha rezultat edhe thirrja e politikës zyrtare të Tiranës dhe normalisht edhe shqiptarët ditën që t’i përgjigjen konform këtyre sugjerimeve, duke i fal votat e veta kandidatit Gjukanoviq. Jemi të gëzuar se me këtë rezultat i kemi larguar rreziqet që do të ishin të paparashikueshme nga fryma ruse nëse do të ndodhte rrethi i dytë. Një falënderim shumë i madh i shqiptarëve të Kosovës e veçanërisht të Pejës, me të drejtë vote në Mal të Zi të cilët e bënë detyrën”, tha Zenka.

Kandidati i DPS Millo Gjukanoviq shënoi sot fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të tretat këto radhazi pas shpalljes së pavarësisë së këtij vendi.

Milo Gjukanoviç zgjidhet president i Malit të Zi

Në Mal të Zi, Qendra për Qendra për Monitorim dhe Kërkim (CeMI) tha se politikani properëndimor Milo Gjukanoviç, ka fituar 53.5 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të së dielës.

Sipas kësaj qendre, Mladen Bojaniç, një afarist i mbështetur nga një aleancë e partive opozitare, përfshirë edhe disa që dëshirojnë lidhje më të ngushta me Rusinë, radhitet i dyti me 34 për qind të votave.

Komisioni i Zgjedhjeve tha se në votime morën pjesë 64 për qind e rreth 530 mijë votuesve të regjistruar.

Zgjedhjet e së dielës janë të parat që kur vendi u bashkua me NATO-n në vitin 2017 dhe shihen si një provë për orientimin evropian të vendit.

Milo Gjukanoviç dhe partia e tij drejtojnë për gati tridhjetë vjet vendin e vogël buzë Adriatikut, që shpalli pavarësinë në vitin 2006.

Zgjedhjet parlamentare të vjeshtës së vitit 2016 kaluan nën hijen e arrestimeve të një grupi nacionalistësh serbë të dyshuar për përfshirje në një komplot për vrasjen e Milo Gjukanoviçit dhe vënien në pushtet të partive pro ruse, për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Moska i ka hedhur poshtë pohimet për mbështetje të përpjekjeve për grusht shteti, por nuk ka fshehur kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Moskës në vitin 2014, ndërsa muajin e kaluar Podgorica dëboi një diplomat rus pas helmimit të ish agjentit rus në Britani.

Në vitin 2016 Milo Gjukanoviç dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, ndërsa muajin e kaluar shpalli vendimin për t’u rikthyer në pushtet “për shkak të përgjegjësisë për të ardhmen e Malit të Zi”.

Kundërshtari i tij e akuzoi zotin Gjukanoviç për korrupsion e lidhje me krimin e organizuar, akuza që u hodhën poshtë nga politikani properëndimorë që filloi karrierën politike si mbështetës i ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, nga i cili u nda nga fundi i viteve të 90-ta.

Mali i Zi zgjedh sot presidentin, shqiptarët mbështesin Gjukanoviçin

Ka nisur votimi në Mal të Zi për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë 7 kandidatë. Në sondazhet e bëra më parë doli se mbështetjen më të madhe e gëzon ish-kryeministri dhe ish-presidenti i vendit, Millo Gjukanoviç, i cili ka një mbështetje edhe nga qytetarët shqiptarë.

Të drejtë vote kanë 532 mijë e 599 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 1 mijë e 214 vendvotime që do të jenë të hapura prej orës 07 deri në orën 20:00.

I pari në listë është kandidati i Malit të Zi të Vërtet, Marko Millaçiç, i dyti, Mlladen Bojaniç, kandidati i Frontit Demokratik, Demokratëve, Partisë Socialiste Popullore dhe Lëvizjes qytetare URA.

Kandidati i Partisë së Drejtësisë dhe pajtimit, Hazbija Kallaç është i treti në listë, kurse i katërti Vasilije Miliçkoviq, përfaqësues i grupit të zgjedhësve Aleancës Qytetare dhe Partisë së Pensionistëve, kurse i pesti është, Dobrillo Dedeiç, përfaqësues i koalicionit serb, raporton Express.

Në vendin e gjashtë të listës zgjedhore është kandidatja e Partisë Socialdemokratike, Draginja Vuksanoviç, kurse i shtati, kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviç.

Daçiçi: Do ta reduktoj nën 100 numrin e vendeve që njohin Kosovën

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, thotë se qëllimi i tij është që numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës të reduktohet nën 100.

Në një intervistë për gazetën “Politika”, Daçiç tha se ka formuar një ekip njerëzish, i cili merret vetëm me çështjen e zvogëlimit të numrit të vendeve që kanë njohur Kosovën, duke theksuar se për të, ky është prioritet në aktivitetin politik të Serbisë.

I pyetur nëse ekzistojnë gjasat reale ta bëjë këtë, Daçiç tha se “garanton” diçka të tillë.
“I pari fillova të punoj në atë drejtim që vendet ta tërheqin njohjen … Njerëzit nga Fixhi nuk e kanë idenë se e kanë njohur Kosovën. Disa madje as nuk e kanë njohur, por ndodhen në listën që e ka ministria e jashtme e Kosovës”, tha Daçiç.

Ai shtoi se Ministria e Jashtme po punon për të reduktuar numrin e njohjeve, por edhe ministritë e tjera duhet t’i kushtojnë vëmendje kësaj çështje.

I pyetur nëse Kosova do të marrë një karrige në Kombet e Bashkuara, Daçiç tha se kjo “do të thotë që Serbia duhet t’i thotë Rusisë dhe Kinës që të mos luftojnë kundër hyrjes së Kosovës në OKB”.

“A mund të imagjinoni që unë ta bëj atë? T’i them Lavrovit dhe homologut tim kinez se unë deri tani jam tallur për këtë”, tha Daçiç, duke shtuar se për çështjen e Kosovës duhet të arrihet te një kompromis.

I pyetur nëse rezultati i këtij kompromisi mund të jetë që Kosova të marrë një karrige në OKB, Daçiç tha se kjo është e mundur, nëse pala serbe e pranon një gjë të tillë, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë ndryshe.

Duke komentuar rëndësinë e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore, Daçiç tha se askush nuk e di se çfarë përfaqëson ajo marrëveshje.

Lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe, ministri tha se mendon se nuk ka asnjë person në Bashkimin Evropian, i cili arsyeton faktin se Prishtina nuk dëshiron të formojë Asociacionin.

Daçiq tha se “BE do të bëjë presion për formimin e Asociacionit, sepse kjo është premtuar”. Shefi i diplomacisë serbe tha se varet nga pala serbe nëse më 20 prill serbët e Kosovës do ta formojnë Asociacionin.

Turqi-BE: Përshpejtohen bisedimet për liberalizimin e vizave

Bisedimet midis Turqisë dhe BE-së u përshpejtuan pasi në fillim të muajit shkurt Ankaraja paraqiti dokumentet e nevojshme lidhur me udhëtimin pa viza për shtetasit turq brenda zonës Shengen tek Komisioni i BE-së

BRUKSEL – Një delegacion nga Bashkimi Evropian (BE) pritet të vizitojë këtë muaj Ankaranë për të diskutuar udhëtimin pa viza për qytetarët turq dhe për të përcjellë pikëpamjet e Brukselit mbi çështjet teknike lidhur me kriteret e mbetura.

Bisedimet midis Turqisë dhe BE-së u përshpejtuan pasi në fillim të muajit shkurt Ankaraja paraqiti dokumentet e nevojshme lidhur me udhëtimin pa viza për shtetasit turq brenda zonës Shengen tek Komisioni i BE-së.

Zyrtarët e Komisionit të BE-së shqyrtuan dokumentin e Ankarasë për shtatë kriteret e mbetura, nga një total prej 72 që u përcaktuan nga Brukseli.

Brenda këtij kuadri, Komisioni i BE-së planifikon të dërgojë një delegacion në muajin prill.

Delegacioni i BE-së pritet të përqëndrohet në legjislacionin anti-terrorist të Turqisë, përkatësisht në marrëveshjen me Shërbimin Policor Evropian (Europol) dhe rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale.

Pikat tjera të interesit, megjithëse më pak të diskutueshme, kanë të bëjnë me pasaportat biometrike, marrëveshjen e ripranimit, masat në luftën kundër korrupsionit që konsiderohen si lehtësisht të negociueshme.

Parlamenti Evropian, i cili ka votuar në favor të disa rezolutave që kritikojnë Turqinë për çështje të ndryshme, duke shkuar deri në thirrjen për pezullimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE në korrik të vitit 2017, do të jetë i rëndësishëm në procesin që të vijë në një përfundim të suksesshëm.

Turqia pret që votimi i BE-së për udhëtimin pa viza të bëhet para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në vitin 2019.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas Samitin në Varna të Bullgarisë të mbajtur në muajin mars, tha se, “Nëse BE-ja merr një hap të menjëhershëm mbi këtë çështje, ne do të lehtësohemi. Kjo nuk do të jetë çështje politike, nuk duhet të marrë një pozitë që mund të prishë besimin e qytetarëve turk në BE”. aa

Vuçiçi pas takimit me Merkel, paralajmëron vendime të dhimbshme për Serbinë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se mirëpret takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, dhe shprehur bindjen se ky takim do t’i kontribuojë gjetjes së zgjidhjes për çështjen e Kosovës, pavarësisht sa e vështirë të jetë, transmeton Koha.net raportimin e mediave serbe. Po ashtu bëhet e ditur se Vuçiç, ka paralajmëruar se do të marrë vendime të dhimbshme dhe të rënda në të ardhmen, nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në një paraqitje të përbashkët kancelaria Merkel tha se për Gjermaninë në BE kanë rëndësi zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ndërsa paralajmëroi samitin e Sofjes në muajin maj, e më vonë edhe Konferencën e formatit të Berlinit në Londër. Ajo tha se Serbia ka rol kyç sa i përket Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës dhe prandaj ka rëndësi të kemi shkëmbime intensive dhe të afërta. Po ashtu lavdëroi reformat e bëra në Serbi.

Vuçiç, ndërkaq, u shpreh se Serbia ndjek me kujdes dhe dëshiron të dëgjojë qëndrimet e Merkel.

Duke përmendur se vendi duhet të marrë vendime të dhimbshme dhe të rënda, ripërsëriti se çfarëdo konflikti në Ballkan do t’i kthente pas vendet tona për 100 vjet pas.

Srebrenicë, shënohet 25 vjetori i vrasjes së civilëve boshnjakë

SREBRENICË – Në Srebrenicë të Bosnjë e Hercegovinës sot u shënua 25 vjetori i krimeve kundër civilëve boshnjakë, kur në këtë ditë në vitin 1993 nga katër predhat e shkrepura nga ushtria e Republikës Sërpska humbën jetën 74 dhe mbi 100 boshnjakë të tjerë u plagosën, të cilët në atë moment ishin në oborrin e shkollës fillore dhe të mesme.

Numri i përgjithshëm i viktimave të këtij krimi u rrit në 105, pasi disa prej tyre iu nënshtruan plagëve gjatë rrugës për në spital.

Fikret Ibrahimoviç në oborrin e shkollës humbi vajzën Fikreta ndërsa në korrik të vitit 1995 edhe dy djemtë e tij.

“Vajza ime ishte 18 vjeçe dhe e tëra ishte e gjymtuar nga predhat. Atë ditë vajza ime ishte në oborrin e shkollës si të gjithë të rinjtë, të etur për të qeshur dhe shoqëruar, ishin mbledhur aty që për një moment të harrojmë frikën dhe pasigurinë, por agresori nuk i la të qetë as aty”, dëshmon Ibrahimoviç.

Suljo Çakanoviç gjatë luftës në Srebrenicë ishte teknik medicinal dhe kujton atë ditë tmerri të 12 prillit 1993.

“Unë isha rreth 50 metra nga oborri i shkollës, kur dëgjova se predhat ishin shkrepur nga pozicionet serbe. As që mendova se do të binin pranë meje dhe nuk bëra panik e as nuk u frikësova sepse kjo ishte bërë përdishmëri e jetës time”, tha Çakanoviç, duke shtuar se:

“Nuk kisha nevojë për shumë kohë që ta marr veten dhe të kuptoj se viktimat janë njerëz dhe fëmijë që ishin afër meje. Nxitova të ndihmoj të plagosurit. Mirëpo, kur iu afrova oborrit të shkollës pash një masakër dhe mendova se këtu nuk ke si të ndihmosh, pasiqë shumë trupa ishin gjymtuar”, thotë Çakanoviç.

Hidajet Alagiç sot kishte ardhur në Srebrenicë për të përkujtuar vëllain që u vra më 12 prill të vitit 1993.

“Koha e atij 12 prilli ishte e ngjashme sikur sot, kishte shumë fëmijë këtu. Edhe vëllai im 19 vjeç ishte këtu”, tha Alagiç.

Në shënimin e përvjetorit të sotëm në Srebrenicë të pranishëm ishin pjesëtarët e mbijetuar të familjeve të viktimave, zyrtarët fetarë, përfaqësues të shoqatave dhe përfaqësues politikë. Ndër të tjerët, e pranishme ishte dhe Melika Mahmutbegoviç, zv/kryetare e Federatës së BeH, Ramiz Salkiç, zv/kryetari i RS, Xhevad Mahmutoviç, i dërguar i anëtarit të Presidencës së BeH-së, Bakir Izetbegoviç, përfaqësues të Qeverisë të Kantonit të Tuzllës, Kantonit Bosansko-Podrinje, Gorazhë, Gratë në të Zeza nga Beogradi dhe të tjerë.

Melika Mahmutbegoviç, nënkryetare e Federatës së BeH-së tha se përgjegjësit për krimin në oborrin e shkollës në Srebrenicë duhet të dënohen.

“Boshnjakët si popull evropian në fund të shekullit të 20-të përjetuan një gjenocid. Ne e mbajmë dhimbjen tonë në mënyrë dinjitoze, por presim drejtësi për etërit, vëllezërit dhe motrat tona. Krimi ka emër dhe mbiemër, krimi ka dhe kriminelin. Në duhet të shikojmë të ardhmen dhe ta ndërtojmë mbi të vërtetën”, tha Mahmutbegoviç.

Ramiz Salkiç, zv/kryetar i Republikës Sërbska, në fjalën e tij tha se të gjithë janë të detyruar të vijnë në vendet e përkujtimit dhe t’i shënojnë ato.

“Disa thonë se duhet të ndalojmë të flasim për të kaluarën dhe t’i kthehemi të ardhmes. Të gjithë ne jemi për bashkëjetesë, por edhe të tjerët duhet të jenë për bashkëjetesë. Përgjegjësit për krimet e luftës duhet të dënohen”, tha Salkiç.

Nga vendi i krimit, të mbijetuarit sot, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, porositën se krimet nuk guxojnë të mbeten pa u ndëshkuar dhe se Prokuroria e BeH-së duhet të hetojë krimet në mënyrë që të ndëshkojë autorët e krimit, pasi askush nuk ka dhënë llogari për krimet deri tani. aa

Po kthehej nga interceptimi i avionëve turq, rrëzohet avioni ushtarak grek

Një avion i flotës ushtarake ajrore të Greqisë është rrëzuar mesditën e së enjtes pranë ishullit Skyros të detit Egje.

Bëhet fjalë për një avion të tipit “Mirazh 2000-5”, i cili kthehej nga një proces interceptimi të disa avionëve turq që kishin shkelur zonën ajrore të Greqisë.

Ai bënte pjesë në një skuadrilje me një avion tjetër të të njëjtit tip, piloti i të cilit kur është ulur në aeroportin e ishullit ka raportuar se një minutë më parë kishte humbur nga kontakti pamor shokun e tij të skuadrës, që ndodhej para tij.

Menjëherë ka filluar një operacion i forcave të Marinës greke, me një frigatë dhe disa helikopterë, i cili është në zhvillim, për të zbuluar vendin ku mund të jetë rrëzuar avioni, që sipas informacioneve të para ndodhet vetëm 9 milje detare nga ishulli Skyros, gjithashtu edhe për të gjetur pilotin, nëse ky i fundit ka mundur të shfrytëzojë mekanizmin e hedhjes së sediljes fluturuese me parashutë, që përdoret në raste rreziku.

Rrëzimi i avionit ushtarak ndodh në një moment kur tensioni midis Turqisë dhe Greqisë është në pikën kulmore, ndërsa çdo ditë avionë ushtarakë grekë ndjekin dhe interceptojnë avionët turq mbi Egje.

Një avion i të njëjtit tip është rrezuar edhe 7 vite më parë në Egjeun Lindor, ndërsa në gusht të vitit 2014, flota ushtarake greke ka humbur edhe një avion të tipit “A-7 Corsair”, bombardues i lartësive të ulëta.

Serbia lobon kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol: Nuk do ishte në interesin tonë

Serbia kërkon që personat, të cilët janë vënë në ndjekje ndërkombëtare nga autoritetet serbe, të kthehen në sistemin e Interpolit. Ajo gjithashtu kërkon nga vendet anëtare të Interpolit që të mos e pranojnë Kosovën në këtë organizatë.

“Si një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme kam kërkuar që të gjithë personat, të cilët janë vënë në listën e ndërkombëtare të ndjekjes nga autoritetet gjyqësore serbe, pa kushte të kthehet në sistemin e Interpolit”, ka thënë drejtori i Policisë së Serbisë, Vladimir Rebiç, pas bisedimeve të ndara me presidentin Meng Hongwei dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Jürgen Stock, raporton “B92”, përcjell Telegrafi.

“Ne do të bisedojmë me të gjithë anëtarët e Interpolit për t’i bindur ata se anëtarësimi eventual i Kosovës në Interpol, nuk do të ishte në interes të Serbisë, as të Interpolit”, ka thënë Rebic.

Drejtori i policisë serbe theksoi se Serbia këmbëngul në integritetin e saj territorial dhe është e angazhuar për zbatimin dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare dhe rregulloreve.

Ai tha se, gjatë bisedimeve të ndara me Presidentin Hongwei dhe Sekretarin e Përgjithshëm Stock, është potencuar përkushtimi i Serbisë për bashkëpunim me Interpol.

Gjuriç në Moskë: Rusia mbron interesat e Serbisë në Kosovë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Rusisë Aleksandër Grushko dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç sot në Moskë kanë konfirmuar afrimin e Serbisë me Rusinë për çështje të pazgjidhura të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, ata kanë thënë se zgjidhja duhet të bazohet në Rezolutën 1244 të KS të KB-së. Pala ruse, siç njofton RTS, ka shprehur gatishmërinë që partnerëve serbë t’iu ofrojë ndihmë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të Serbisë në Kosovë.

Sipas Express, pas takimit Gjuriç ka thënë se ka marrë përkrahje vëllazërore e miqësore për politikën e jashtme e të brendshme të Serbisë si dhe për çështjen e Kosovës.

Vojisllav Sheshel dënohet me 10 vite burg, por nuk do ta vuajë dënimin

Gjykata e Hagës ka shpallur fajtor liderin e radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, duke e dënuar me 10 vite burg. Pavarësisht masës që dha gjykata, Sheshel nuk do ta vuajë dënimin me burg, pasi ai këtë e ka kryer gjatë kohës që ka qëndruar në paraburgim, për një periudhë 11.5 vitesh.

Trupi gjykues i Hagës liroi Sheshelin më 31 mars të vitit 2016 nga dhjetë pikat e aktakuzës që rëndonin mbi të përfshirë krime kundër njerëzimit, thyerja e rregullave të luftës, për gjuhë të urrejtjes, deportim dhe krime tjera kundër kroatëve dhe myslimanëve në Kroaci, Bosnje dhe Vojvodinë.

Trupi gjykues është ankuar dhe ka kërkuar dënimin prej 28 viteve burgim apo përsëritjen e gjykimit.

Greqia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç. Beograd, 11 prill, 2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, tha të mërkurën në Beograd se vendi i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa sqaroi se zyra tregtare e Kosovës në Athinë nuk do të jetë përfaqësi diplomatike.

“Qysh në vitin 2011 dhe 2014, në kohën e qeverisë së atëhershme, është rënë dakord të hapet zyra tregtare e Kosovës. Zyra tregtare në Athinë, kur të hapet, nuk do të jetë përfaqësim diplomatik i Kosovës. Kjo nuk është rënë dakord dhe nuk është paraparë”, tha Kotzias për gazetarët në Qeverinë e Serbisë, pas takimit me homologun serb, Ivica Daçiq.

Ky i fundit, siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, e falënderoi ministrin grek për, siç tha, mbështetjen që i jep vendi i tij integritetit territorial të Serbisë.

Greqia, së bashku me Spanjën, Qipron, Sllovakinë dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, edhe dhjetë vjet pas shpalljes së saj.

Rrëzohet një aeroplan ushtarak serb, humb jetën piloti

Një aeroplan ushtarak serb është rrëzuar mëngjesin e sotëm te qyteti Kovaçica, me ç’rast njëri pilot ka humbur jetën, ndërsa tjetri është në gjendje të rëndë, njoftuan mediet serbe

Siç transmeton Gazeta Express, bëhet fjalë për aeroplan shkollor për stërvitje të pilotëve të tipit “Supergaleb G-4”.

Portali Blic raportoi se dy pilotët janë katapultuar nga aeroplani, por njëri ka humbur jetën, ndërsa tjetri, në gjendje të rëndë, është dërguar në Spitalin Ushtarak (VMA) në Beograd.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 09:30 në afërsi të daljes nga Kovaçica, qytezë kjo në Banat të Vojvodinës, rreth 55 kilometra larg Beogradit.

“Isha në shtëpi kur u dëgjua se si pushoi së punuari motori i aeroplanit dhe pashë se dy pilotë u katapultuan. Në vend mund të shihet edhe një krater”, ka deklaruar një banor vendas.

Ndihma e shpejtë është në vendngjarje, ndërsa nga VMA janë dërguar helikopterë në drejtim të Kovaçicës.

Gjykata e OKB-së sot merr vendim për Sheshelin

Politikani nacionalist serb, Vojsllav Sheshel, do të mësojë sot nëse gjykata e Kombeve të Bashkuara do të mbështesë një apel kundër shfajësimit të tij për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sheshel akuzohet se ka kryer krime kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, që çuan në shpërbërjen e Yugosllavisë në vitet e 90-a. Në këto luftëra u vranë afro 130 mijë njerëz.

Sheshel akuzohet po ashtu për persektuim në bazë të prirjeve politike, fetare dhe racore, për deportim, vrasje dhe torturë.

Shesh, 63-vjeç, i mohon këto akuzat.

Ai kishte refuzuar që të marrë pjesë në seancën dëgjimore në Tribunalin e Hagës në dhjetor të vitit të kaluar.

Prokurorët e OKB-së kanë kërkuar nga gjykata që ta gjejë fajtor Sheshelin për tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe për gjashtë akuza për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe ta dënojnë atë me 28 vjet burg, ose të urdhërojnë rigjykim.

Një një vendim kundërthënës në mars të vitit 2016, gjykatësit e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi liruan Sheshin nga të gjitha akuzat.

Paneli i prokurorëve është thënë se “ka dështuar të ofrojnë prova” që do të dëshmonin se Sheshel ka qenë përgjegjës për krimet që është akuzuar.

Prokurorët kanë apeluar këtë vendim, duke thënë se gjykatësit kanë injoruar dëshmitë e ofruara.

Tensione të forta Turqi-Greqi: Avioni turk mbi ishullin grek, ushtria e zbraps me armë

Tensione te forta mes Greqise dhe Turqise. Mediat greke shkruajne sot se nje helikopteri turk “iu afrua” ishullit Ro ne nje lartesi me pak se 100 meter. Pas kesaj, ushtria greke ka reaguar me arme, duke shtene disa here ne ajer.

Garnizoni ushtarak grek u përgjigj me rreth 20 te shtena paralajmëruese dhe vetem pas kesaj helikopteri u kthye nga erdhi.

Sipas reportazhit të ERT, është një helikopter i rojes bregdetare turke i cili kishte fikur dritat dhe fluturoi fare ngjitur me ishullin.

Qendra Kombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes ka shqyrtuar imazhet e marra nga ngjarja ne fjale, duke e quajtur kete nje sfide te re nga ana e Turqise.

Kujtojme se tensione te tilla mes dy vendeve kane ardhur duke u shtuar se fundi. Ne muajin shkurtin, roja bregdetare turke goditi një anije të rojes bregdetare greke në juglindje të Egjeut.

Vuçiçi: Pushkët e Thaçit nuk e ndalën Serbinë, por ja ku deklaratat e tij duhet shikuar me kujdes

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiçi ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Hashim Thaçi në përvjetorin e Betejës së Koshares. Pak më parë, para Presidentit serb ka reaguar edhe vartësi i tij Marko Gjuriq.

“Nuk dua të merrem me pushka dhe armë si Thaçi, ai le ta bëjë këtë. Por pushkët e tij nuk e shkatërruan serbin po disa aeroplanë. E jona është që të bëjmë politikë të paqes“ ka deklaruar Vuçiq gjatë një vizite në Mostar.

Ai ka thënë se deklarata e Thaçit duhet të shikohet me kujdes ku ai thotë se para 19 vjetësh përgjithmonë është hequr kufiri shqiptaro-shqiptar, transmeton Gazeta Express.

„Duhet ti pyesim disa nga bashkësia ndërkombëtare se çka mendojnë për këtë edhe a është sulmuar më 1999 Serbia pikërisht për këtë“ ka thënë Vuçiq.

Vulin tallet me Shtetin e Kosovës: Hyj e dal kur të dua

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, thotë se “Serbia është në një pozitë të vështirë, e përballur me forcën e fuqive të cilat, sipas tij, nga Serbia po kërkojnë të justifikojë shkeljen e të drejtës ndërkombëtare dhe të dhunës që po zbatohet”.  Vulin tha se ai mund të hyjë e të dalë nga Kosova sa herë të dojë.

Vulin thekson se në krye të Serbisë, pas një kohe të gjatë, është Presidenti që ka guximin për të përballet me ata që janë më fuqishëm se ai dhe t’ju rezistojë të gjitha presioneve.

“Vuçiq do t’ia dalë”,  tha Vulin në një intervistë për “Kurir”, duke  u përgjigjur në pyetjen se në çfarë gjendje të vështirë është Serbia aktualisht, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe nëse ai  do të jetë në gjendje të nxjerr maksimumin.

Ministri tha se është shumë vështirë të flitet për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, “ me ata që përdorin dhunë dhe nuk e mbajnë fjalën”

“Ata po gënjejnë, kërcënojnë dhe shantazhojnë, por kjo nuk është çështje e zgjedhjes, por e asaj që duhet të bëhet për popullin dhe vendin tonë”, tha Vulin, duke folur në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën.

Ai ka vlerësuar se “arrestimi i Marko Gjuriqit ishte i planifikuar dhe ishte sulm ndaj Gjuriqit dhe ndaj veriut të Kosovës, një përpjekje e dështuar për të frikësuar dhe dëbuar serbët”.

I pyetur nëse ai së shpejti do të shkojë në Kosovë, Vulin tha se tha se do të donte të shkojë, pasi thotë se mund të hyjë e të dalë nga Kosova se herë të dojë dhe kudo që është e nevojshme.

“Por tani është çështje e vlerësimit tonë politik, jo e forcës së Prishtinës. Ata më arrestuan edhe mua më herët, por nuk ia dolëm të ndalnin punën time as politikën tonë”, tha Vulin.

Daçiçi: Kosova pranon ndarjen, por nuk e lejojnë ndërkombëtarët

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç ka thënë se Prishtina, sikur të bisedohej me të pa mentorët e saj, do ta pranonte propozimin e ndarjes së Kosovës.

“Nëse do të bisedonim hapur për ndarjen e Kosovës, pa mentorë, Prishtina do të nisej nga interesat e saj dhe do të pranonte këtë propozim”, ka thënë Daçiq, për gazetën serbe “Blic”, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se fuqitë e mëdha, kur të përmendet demarkacioni dhe ndarja llogarisin se do të vinte deri te zhvendosja masive e popullsisë, sepse siç thotë ai, nuk e marrin parasysh se situata etnike në terren është në përputhje me propozimin për ndarje.
Daçiq ka thënë se fuqitë e mëdha nuk duan të diskutojnë propozimin për ndarjen e Kosovës, sepse ata mendojnë se çështja e Kosovës është përmbyllur në vitin 2008, duke u nisur nga fakti se e kanë njohur pavarësinë.

I pyetur nëse janë të vërteta pretendimet e Presidentit të Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, se Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq e ka ofruara jugun e Serbisë, në këmbim për veriun e  Kosovës, Daçiq ka thënë se “nuk ka pasur asnjë bisedë në përpjekje për zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së Kosovës”.

“Ka pasur bisedime të ndryshme, në qytete qendra të ndryshme, shkëmbim të pikëpamjeve, por nuk kishte asgjë zyrtare. Unë nuk e di nëse dikush diku ka mundur të ofrojë diçka të tillë”, tha Daçiq.

Duke folur për aktivitetet që priten lidhur me çështjen e Kosovës, ka thënë Daçiq se javën e ardhshme në Beograd arrijnë nga ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Francës dhe se pret biseda të rëndësishme.

Gjuriç: Prishtina e do Asociacionin pa fuqi ekzekutive, atë film s’kanë për ta parë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, deklaroi se Serbia do ta mbështesë punën për krijimin e AKS-së, por jo bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ai tha se Kosova nuk e do Asociacionin.

“Ne duam që Asociacioni të ketë fuqi. Prishtina do që Asociacioni të mos ketë këtë fuqi, por nuk do ta shihni atë film”, ka thënë ai, shkruan Tanjug.

Po ashtu Gjuriç deklaroi se drejtuesit e institucioneve të Kosovës nuk po tregohen të sinqertë për afatin që ka vënë BE për themelimin e AKS-së.

Serbi, sipërfaqe 2.5 milionë metra katrorë e minuar

Në Bujanoc vazhdon pastrimi i minave, në Rashkë, Novi Pazar dhe Sjenicë janë regjistruar thërmi të municioneve ndërsa në 150 lokacione janë vërejtur bomba të mëdha avionësh

BEOGRAD – Në Serbi, minat ndodhen në një sipërfaqe prej 2.5 milionë metra katrorë dhe atë në komunën e Bujanocit, ndërsa në rreth dy milionë e 600 metra katrorë shtrihen municionet thërrmuese edhe atë, përveç në Bujanoc, ato gjenden edhe në territorin e Rashkës, Novi Pazarit dhe Sjenicës, ndërsa ka edhe një numër të madh bomba avionësh si dhe avionë të fundosur.

Me rastin e Ditës Botërore kundër miniave, e cila shënohet më 4 prill, ekipi i AA ka qëndruar në Bujanoc, pikërisht në fshatin Ravno Buçje, ku aktualisht Qendra e Deminimit të Serbisë realizon projektin e pastrimit të minave në një hapësirë prej 113 mijë metra katrorë. Në këtë zonë në vitin 2000 dhe 2001, dy persona humbën jetën dhe një tjetër u plagos.

“Ky territor dhe shtëpitë që ju shihni, ka pasur dy të vdekur dhe një të plagosur. Minat ishin vendosur në pjesën e jashtme e shtëpisë dhe në shtëpi”, tha drejtori i Qendrës Jovica Simonoviç, duke shtuar se tani në këto shtëpi askush nuk jeton.

Gjatë punimeve që zgjasin shtatë ditë dhe i cili kryhet nga ekipi prej 10 deminuesve të cilët aktualisht kanë gjetur pesë mina kundër-këmbësorike PMA 2, një granatë dore dhe një predhë minahedhësi 60 milimetra. Simonoviç shtoi se deri në fund të projektit, i cili do të përfundojë në 20 ditët e ardhshme do të angazhohen edhe 10 deminues, duke paralajmëruar një tjetër projekt nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

Serbi, sipërfaqe prej 2.5 milionë metra katrorë e minuar

Në Serbi, minat ndodhen në një sipërfaqe prej 2.5 milionë metra katrorë dhe atë në komunën e Bujanocit, ndërsa në rreth dy milionë e 600 metra katrorë shtrihen municionet thërrmuese edhe atë, përveç në Bujanoc, ato gjenden edhe në territorin e Rashkës, Novi Pazarit dhe Sjenicës, ndërsa ka edhe një numër të madh bomba avionësh si dhe avionë të fundosur.

 

Municionet thërrmuese ndodhet në rreth dy milionë e 600 metra katrorë, në territorin e Rashkës, Bujanocit, Novi Pazarit dhe Sjenicës, kurse Qendra për Deminim në periudhën e ardhshme do të ketë minimum dy projekte për pastrimin e municioneve në Sjenicë.

Qendra e pastrimit të minave gjithashtu punon edhe në rreth 150 lokacione që janë të ndotura nga bomba të mëdha ajrore.

“Dallimi te bombat e mëdha ajrore është se shpenzimet janë dukshëm më të larta dhe ne për nxjerrjen e një të bombe të madhe ajrore mund të bëjmë nga 200-300 mijë metra katrorë të municioneve thërmuese”, shpjegoi ai.

Bombat ajrore të pashpërthyera ndodhen edhe në lumin Sava dhe lumin Danub. Për shembull, në portin Prahovo ndodhen 23 anije gjermane të cilat qëllimisht u fundosën.

Qendra e Deminimit në Serbi ka tetë të punësuar, që është dukshëm më pak se në Bosnjë e Hercegovinë, ku ka 190 të punësuar ose në Kroaci, ku numri i të punësuarve arrin në rreth 200.  aa

“Arka e Nuhut ndodhet në rajonin Agri në Turqi”

Libri “Arka e Nuhut, Zbulimi i Shekullit”, i autorit Erkan Kosedag sjell një dimension të ri lidhur me vendndodhjen e Arkës

AGRI – Vendndodhja e Arkës së Nuhut (Noa), përfundimisht është në krahinën turke Agri, pohon Erkan Kosedag, autor i librit “Arka e Nuhut, Zbulimi i Shekullit”.

Libri i botuar në turqisht, sjell një dimension të ri lidhur me vendndodhjen e Arkës, e cila nuk është përcaktuar përkundër studimeve të shumta nga shkencëtarë të ndryshëm të botës.

Kosedag thotë se interpretimi që ia kanë bërë Kuranit, flet se përmbytja e Nuhut ka qenë rajonale dhe jo një ngjarje globale, dhe se ka ndodhur 4.000 vjet më parë.

“Rrëfimi për përmbytjen e madhe dhe Arkën e Nuhut përmendet në të gjitha fetë qiellore, në hebraizëm, krishterim dhe islam”, thotë ai për të shtuar se në Kuran, qëndron se Allahu e ka informuar Nuhun për përmbytjen e madhe e cila do ta kaplojë botën, për të strehuar në arkë të gjithë ndjekësit e tij.

Pas kësaj Nuhu ka filluar ndërtimin e një lundrakeje në të cilën ka mbajtur pjesëtarët e familjes së tij bashkë me nga një çift kafshësh dhe shpendësh.

Për shekuj me radhë është bërë përpjekje për të gjetur arkën, por deri më sot, nuk ka gjurmë fizike të saj.

Megjithatë, pas një tërmeti i cili kaploi fshatin Telceker në qarkun Dogubeyazit të krahinës Agri në vitin 1949, dolën në sipërfaqe mbetjet e një anijeje, të cilat tërhoqën vëmendjen e shumë shkencëtarëve nga e mbarë bota, të cilët kryen një hulumtim në periudhën e viteve 1965-1979.

“Dimensioni i mbetjeve përshtaten në tërësi me ato të dhëna në librat e shenjtë”, rrëfeu për Anadolu Agency (AA) Kosedag, i cili sqaron se libri i tij sjell informacione nga monumentet sumeriane, Epi i Gilgameshit dhe nga tre librat e shenjtë.

Në libër, sqaron ai, janë përfshirë edhe studimet e kryera nga shkencëtarët John Wanderman dhe Dr. Salih Bayraktutan nga universiteti Erzurum Ataturk në Turqi.

“Raporti i Bayraktutanit nxjerrë në dritë se analizat laboratorike flasin se (në mbetjet e anijes) janë zbuluar materiale të ngjashme me hekurin”, tha Kosedag.

“Pohojmë se përfundimisht, Arka ndodhet në rajonin Agri. Studimet do të duhet të përqendrohen në këtë rajon”, shtoi ai.

Mali i Zi, shpërthen bombë në oborrin e shtëpisë së gazetarit

Nga shpërthimi në fjalë nuk ka pasur viktima, pasi bomba ishte hedhur në vendin e parkimit të automjetit të gazetarit

PODGORICË – Në Bijelo Polje të Malit të Zi, mbrëmë ka shpërthyer një bombë në oborrin e shtëpisë së gazetarit të televizionit “Vijesti”, Sead Sadikoviç.

Nga shpërthimi në fjalë nuk ka pasur viktima, pasi bomba ishte hedhur në vendin e parkimit të automjetit të gazetarit.

Policia bën të ditur se mjeti shpërthyes është hedhur para shtëpisë së Sadikoviçit. Në vendin e shpërthimit, nuk ka qenë i parkuar automjeti i gazetarit në fjalë, por një automjet me targa të Beogradit, pronë e një agjencie automjetesh.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Malit të Zi (DPNCG), ka shprehur shqetësimin për shpërthimin në afërsi të shtëpisë së kolegut të tyre, njëherësh anëtar i Këshillit Drejtues të organizatës.

DPNCG ka ripërsëritur kërkesën për proces gjyqësor të sulmuesve të gazetarëve, dhe zbardhjen e shpërthimeve të cilat kanë dëmtuar pronën e tyre. aa

Presidenti Erdogan falënderon homologun e tij Thaçi

ANKARA – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se:  “Operacioni i fundit në Kosovë (Operacioni i MIT-it në Kosovë kundrejt strukturës së FETO-s në Ballkan) nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘Turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ato e bënë detyrën e tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është miku, vëllai ynë kushdo që shkollat e FETO-s ia dorëzon Fondacionit turk Maarif, kush mbyll strehët e tyre të së keqes me pamjen e institucioneve të shoqërisë civile dhe kush i largon agjentët e tij nën pamjen e biznesmenit”, është shprehur Erdoğan.

Presidenti turk sulmon kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan sulmoi të shtunën kryeministrin e Kosovës për shkak se ky i fundit kundërshtoi operacionin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, që Ankaraja i akuzon për mbështetje të komplotit për grusht shteti.

Presidenti Erdogan në një tubim të Partisë Zhvillim dhe Drejtësi në Stamboll tha se, “Agjencia turke e Zbulimit, në një operacion në Kosovë i kapi dhe i solli 6 nga këta përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan. Por kam një pikëllim. Kryeministri i Kosovës i largoi nga detyra personin në krye të zbulimit dhe ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë?”, citon agjencia e turke e lajmeve Anadolu

Ai tha se Haradinaj do të “paguajë” për këtë.

Gjashtë shtetas turq, pesë nga të cilët punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë, dhe një mjek, u deportuan të enjten në një operacion ende të pasqaruar të kryer nga shërbimet e zbulimit të të dyja vendeve.

Të premten kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi. Të shtunën ai mblodhi Këshillin e Sigurisë pas të cilit tha se ka kërkuar hetim dhe raportim nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për këtë rast, ndërsa ritheksoi se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga qeveria e Kosovës për sulmin e presidentit turk dhe asnjë nga zyrtarët e lartë nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për këtë çështje.

Turqia është mbështetëse e pavarësisë së Kosovës dhe një nga investuesit që kontrollon kompanitë kryesore në vendin e varfër, përfshirë aeroportin e vetëm në vend dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike.

Ekspertë e analistë ndërkombëtarë kanë theksuar shpesh se se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë por edhe vende të tjera të Ballkanit. za

Vuçiç: Kosova, tema e vetme nga e cila varet e ardhmja e Serbisë

“Kur ta prezantoj Platformën për Kosovën do të përpiqem të bazohem për të ardhmen e jo në atë se sa e duam të kaluarën tonë”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se kur ta prezantojë Platformën për Kosovën do të përpiqet të bazohet në të ardhmen e jo në të kaluarën.

Pasi dëgjoi mendimet e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare mbi aspektet politike të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse të çështjes së Kosovës në kuadër të dialogut të brendshëm mbi Kosovën, Vuçiç në Beograd deklaroi se Serbia duhet të përpiqet të jetë realiste.

“Kur të prezantoj platformën, unë do të flas rreth asaj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen nëse nuk ndryshojmë gjërat dhe do të përpiqem ta bazojmë në të ardhmen e jo në atë se sa e duam të kaluarën tonë. Por, kjo zgjidhje nuk do ta shkelë Serbinë dhe nëse jo, atëherë ndoshta ndonjë elitë tjetër politike do të jetë në gjendje të bëjë atë që ne nuk mund ta bëjmë sot”, tha Vuçiç.

Ai tha se Kosova është tema e vetme dhe se gjithçka tjetër janë rrëfime boshe.

“Ekonomia ecën mirë, njerëzit do të jetojnë më mirë, por nuk do të jetojnë më mirë sepse Kosova është tema e vetme. Nëse e zgjidhni këtë do të keni gjithçka”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiçi bisedon me ambasadorin gjerman për ngjarjet në Mitrovicë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bisedoi të premten me ambasadorin e Gjermanisë në Beograd, Axel Dittmann, për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, pas ngjarjeve të kësaj jave në Mitrovicën e Veriut.

Të hënën, Policia e Kosovës ka ndaluar dhe dëbuar shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka hyrë pa lejen e autoriteteve kosovare në Mitrovicën e Veriut.

Dittmann tha se dy palët duhet të vazhdojnë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq dhe Dittmann thanë se është e rëndësishme që të ulen tensionet dhe që gjendja e tanishme të zgjidhet në rrugë paqësore, në dobi të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit.

Vuçiq tha se Gjermania i ofron mbështetje të madhe Serbisë në rrugën e integrimit evropian.

Erdogani: Do të vazhdojmë “ndjekjen” e FETO-s kudo që gjendet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka riafirmuar zotimin për të vazhduar sjelljen para drejtësisë të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO pas ekstradimit nga Kosova në Turqi të gjashtë pjesëtarëve të lartë të kësaj organizate

ANKARA – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka riafirmuar zotimin për të vazhduar sjelljen para drejtësisë të pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO pas ekstradimit nga Kosova në Turqi të gjashtë pjesëtarëve të lartë të kësaj organizate.

“Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës kapën gjashtë përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu me lejen e Zotit kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, tha presidenti Erdoğan. aa

Ish-ushtaraku kërcënon për sulm me bombë, evakuohet parlamenti i Serbisë

Policia serbe në Beograd ka evakuuar anëtarët e parlamentit dje, pasi një person jashtë ndërtesës ka kërcënuar se do të hedhë veten në erë.

Mediat lokale kanë raportuar se personi ka qenë i armatosur me bombë dhe armë zjarri pistoletë, dhe kërcënonte se do hidhej në erë pasditen e djeshme. Ai u rrethua nga zyrtarë të sigurisë dhe pas disa orësh negociatash u arrit të ndalohej.

Personi më pas është dërguar në spital për vlerësim të gjendjes mendore. Raporte të pakonfirmuara kanë thënë se burri ka qenë ish-ushtar serb dhe ka tentuar të fitojë vëmendje për një rast ligjor në të cilin është i përfshirë.

Serbia mban stërvitje ushtarake pak ditë pas incidentit në veriun e Kosovës

Nga një stërvitje e mëhershme e ushtrisë serbe

Nën vështrimin e mprehtë të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe diplomatëve të huaj, ushtria e Serbisë përveshi muskujt të enjten duke shtënë me municione lufte në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018”, u krye tri ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës në veriun e Kosovës dhe për një kohë të shkurtër e mbajti të arrestuar një zyrtar të qeverisë serbe.

Incidenti përkeqësoi marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes të Serbisë dhe Kosovës, ish-krahinës së saj jugore e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte të përgjakshme një dekadë më herët.

Komandanti i armatës serbe, gjenerali Lubisha Dikoviç, tha se stërvitjet që përfshinë më shumë se 900 trupa ishin pjesë e ushtrimeve të planifikuar për vitin 2018.

“Ne gjithmonë kemi pasur ushtarë të mirë, duam të kemi edhe më shumë të tillë…duam që ata të jenë edhe më të stërvitur”, u tha ai gazetarëve në terrenin e stërvitjeve Pasuljanske Livade.

Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2018 është 70.5 miliardë dinarë, (afërisht 595 milionë euro), 23.6 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

Forcat e saj përdorin kryesisht teknologji sovjetike të viteve të 80-ta dhe Beogradi dëshiron të modernizojë pajisjet. Disa nga armët e përdorura në stërvitje ishin të vjetruara, por ende funksionale.

“Ne i nxorëm nga magazinat, i rinovuam … dhe siç mund ta shihnit, ato punonin mirë,” tha presidenti serb Vuçiç.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por një nga pak vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila është shumë jopopullore ndër serbët që nga fushata e bombardimeve të vitit 1999 që dëboi forcat serbe jashtë Kosovës. Paqeruajtësit e NATO-s janë ende atje.

Në vitin 2006, Serbia, e cila ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, u bashkua ne programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe në vitin 2015, nënshkroi Planin Individual të Veprimit të Partneritetit – shkalla më e lartë e bashkëpunimit midis aleancës dhe një vendi që nuk synon të anëtarësohet.

Serbia gjithashtu ruan lidhjet e ngushta ushtarake me Rusinë, aleaten e saj tradicionale ortodokse dhe sllave.

Ankaraja: 6 pjesëtarë të FETO-s ekstradohen nga Kosova në Turqi

MIT ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO/PDY-së të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës

ANKARA – Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) ka realizuar një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Ballkan, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës.

Sipas të dhënave që AA ka siguruar nga burime të sigurisë, MIT ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO/PDY-së të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës.

Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjelë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Mësohet se pjesëtarët e FETO/PDY-së do t’u dorëzohen autoriteteve gjyqësore.

Sipas të dhënave të siguruara, gjashtë të arratisurit e FETO/PDY-së të kapur përmes operacionit, krahas aktiviteteve në shtetet e Ballkanit, kanë qenë të angazhuar për sigurimin e arratisjes së punonjësve të organizatës në Turqi drejt shteteve të Evropës dhe SHBA.

Njësitë e sigurisë kishin vërtetuar se Özkan ka menaxhuar paratë e tubuara në emër të bamirësisë në shtetet e Ballkanit, të cilat i ka transferuar në Pensilvani, ku gjendet kreu i organizatës terroriste.

Ndërkaq, Demirez, përgjegjës për strukturimin rinor në Kosovë, ka punuar në mënyrë aktive në shtetet e Ballkanit, ndërsa ka luajtur rol që organizatës t’i bashkangjiten numër i madh personash.

Nga ana tjetër, Günakan, i sjellë po ashtu në Turqi përmes operacionit të MIT-it, ishte përgjegjës për mësimdhënësit në strukturat shkollore në rajon.

Emrat e tjerë të sjellë në Turqi mësohet se kanë qenë figura të larta përgjegjës për strukturimin e FETO/PDY-së në institucione dhe organizata të ndryshme.

Në veçanti, mësohet se Osman Karakaya ka luajtur rol aktiv në procesin Ergenekon, periudhë gjatë së cilës ai ka përgatitur raporte në favor të FETO/PDY-së në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll, ndërsa për këtë arsye i është ndarë dekoratë nga ana e kreut të organizatës terroriste Fetullah Gülen.

Kroacia miraton blerjen e 12 avionëve luftarakë nga Izraeli

Ky është projekti më i madh dhe më i shtrenjtë të cilin Kroacia e ka ngritur me qëllim të pajisjes ushtarake që nga themelimi i shtetit

ZAGREB – Qeveria e Kroacisë në seancën e sotme ka miratuar propozimin për pranimin e ofertës së Izraelit për blerjen e 12 avionëve luftarakë F-16 të cilat do t’i shërbejnë ushtrisë kroate deri në vitin 2050.

Qeveria kroate miratoi propozimin e ekipit të ekspertëve të paraqitur pas vlerësimit të pesë ofertave që kanë ardhur nga disa shtete, kështu që oferta më e mirë për Kroacinë u vlerësua oferta nga ana e Izraelit, e cila ofroi një skuadron prej 12 avionëve të tipit F-16 Barack me çmim prej 2.9 miliardë kuna (386 milionë euro).

Ky është projekti më i madh dhe më i shtrenjtë të cilin Kroacia e ka ngritur me qëllim të pajisjes ushtarake që nga themelimi i shtetit.

Vendimi për zgjedhjen e 12 skuadronëve luftarakë të ofruar nga Izraeli, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç e vlerësoi atë si cilësor për shkak të disa aspekteve.

Më tej u shtua se avionët luftarakë F-16, të cilat janë prodhim të Locheed Martin nga SHBA, të cilët do të vijnë në Kroaci plotësisht të modernizuar dhe përshtatur me standardet e NATO-s, ashtu që në koston e çmimeve në tërësi çdo gjë do të përfshihet, kështu që këto avionë duhet të jenë në dispozicion të aviacionit kroat për të paktën 25 vite.

“Kostoja e blerjes së këtyre avionëve në 10 vitet e ardhshme do t’i kushtojë Kroacisë më së shumti 50 milionë dollarë në vit”, tha kryeministri kroat.

Oferta e izraelit parashikon pakon prej 12 avionëve, 10 me një ulëse dhe 2 me dy ulëse, me pajisje në pajtim me standardet e të sistemeve të avancuara të NATO-s, me pajisje personale për pilotët, F-16 me simulator të fluturimit, trajnim të pilotëve dhe stafit teknik në Izrael.

Në paketë është përfshirë edhe pakoja e pjesëve rezerve, paketa e pajisjeve për mbështje tokësore të fluturimit, paketën fillestare të armatimit, ndërtimi dhe përshtatja e infrastrukturës dhe tre vjet mbështetje e përgjithshme logjistike, përfshirë praninë e instruktorëve në Kroaci për të ndihmuar në mirëmbajtjen dhe trajnimin e stafit.

Qeveria do t’ia dorëzojë propozimin Parlamentin kroat, i cili do të shqyrtojë propozimin dhe do të vendosë për pranimin e tij. aa

Erdogani mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ultimatum Greqisë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë (MGK), i cili zhvilloi një takim nën kryesimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, në Pallatin Presidencial në Ankara, konstatoi se “është shprehur nevoja e largimit të menjëhershëm të terroristëve nga rajoni Munbixh, në të kundërtën Turqia ashtu si në rajonet tjera, edhe këtu nuk do të ngurrojë nga përodrimi i vetë iniciativës”.

Duke bërë të ditur se gjatë këshillit janë vlerësuar vizitat e realizuara në disa shtete dhe se janë ndarë informacionet lidhur me disa zhvillime të jashtme politike, në njoftim thuhet se,

“Është bërë një vlerësim i përgjithshëm në lidhje me zhvillimet në Qipro, Mesdheun Lindor dhe në Detin Egje, veçanërisht është shprehur se po ndiqen me ndjeshmëri veprimet dhe qëndrimet e Greqisë, të cilat janë në kundërshtim me fqinjësinë e mirë, dhe është vendosur se kurrë nuk do të komprometohen të drejtat dhe interesat e Turqisë”.

MGK përmes një njoftimi me shkrim tha se gjatë këtij takimi janë shqyrtuar zhvillimet e brendshme dhe të jashtme të cilat ndikojnë në sigurinë dhe paqen e Turqisë, si dhe çështjet ndërkombëtare që kanë lidhje të ngushtë me Turqinë.

Duke njotuar se në takim janë diskutuar të gjitha dimensionet e luftës kundër terrorizmit, në njoftim thuhet se: “Në këtë kuadër janë shqyrtuar masat e mara dhe të rekomanduara nga këshilli jonë në kuadër të ligjit kundër çdo lloji kërcënimi, duke filluar nga aktet e organizatave terroriste të projektuara si PKK/PYD-YPG, DEASH dhe FETO/PDY, të cilat si objektiv marrin sigurinë tonë kombëtare. Poashtu në mënyrë gjithpërfshirëse është vlerësuar lufta e vazhduar me vendosmëri dhe këmbëngulje, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, për t’i dhënë fund terrorizmit”.

Këshillit i janë prezentuar informacionet lidhur me operacionin Dega e Ullirit, e cila ka për qëllim neutralizimin e terroristëve që realizojnë sulme ndaj Turqisë, të krijojë siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit, si dhe të sigurojë kthimin e sirianëve të zhvendosur në vendet e tyre dhe të ndihmojë për mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë.

Në deklaratë thuhet se janë vlerësuar angazhimet për zbatimin e masave të nevojshme në mënyrë që pas kthimit të qindra mijëra sirianëve, të cilët janë pronarë kryesorë të rajonit, të mund të jetojnë në siguri dhe paqe.

“Mendohet se është e dobishme të rikujtohet edhe një herë te publiku ndërkombëtar se organizata seperatiste terroriste, e cila ashtu si në vendet tjera të pushtuara edhe në Afrin i armatos fëmijët, i përdor civilët e pafajshëm si mburoja të gjalla dhe kryen krime kundër njerëzimit përfshirë edhe spastrimin etnik, është në bashkëpunim me DEASH-in. Është shprehur nevoja e largimit të menjëhershëm të terroristëve nga rajoni Munbixh, në të kundërtën Turqia ashtu si në rajonet tjera, edhe këtu nuk do të ngurrojë nga përodrimi i vetë iniciativës”, theksohet në njoftim.

Duke vënë në dukje se janë në vendosmëri të njëjtë edhe kundër terroristëve të vendosur në tokat e Sirisë në veri të Eufratit, në njoftim thuhet se, “Përveç Sirisë, aktivitetet e organizatës terroriste seperatiste, e cila është vendosur në vende të ndryshme të Irakut duke filluar nga Sinxhari dhe Kandili për të sulmuar kundër shtetit tonë, pritet që së pari të ndalohet nga shteti i Irakut. Nëse kjo nuk bëhet e mundshme, do të ndalohet nga vetë Turqia”. aa

Presidenti serb këshillohet me presidentin rus për zhvillimet në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike këshilla se si “t’i kundërvihet dhunës dhe agresionit” të Kosovës ndaj serbëve.

Në një komunikatë të zyrës së presidenti serb, thuhet se ai e ka informuar presidentin rus mbi “sulmin brutal” të policisë së Kosovës ndaj një zyrtari serb të hënën i cili u arrestua dhe u dëbua pasi që hyri në Kosovë pa lejen e autoriteteve.

Në komunikatë thuhet se ai kërkoi këshillat e Putinit, “sepse është e qartë që shqiptarët e Kosovës gëzojnë një mbështetje të gjerë të një numri vendesh perëndimore për shpalljen e njëanshme të pavarësisë”, dhjetë vjet më parë.

Në komunikatë nuk thuhet nëse presidenti rus i ka ofruar ndonjë këshillë.

Kremlini tha ndërkaq se presidenti Vladimir Putin e ka dënuar fuqishëm arrestimin e zyrtarit serb. Në një komunikatë u tha se presidenti Putin dhe presidenti Vuçiç diskutuan çështjen e Kosovës “në kontekstin e aksionit provokues të Prishtinës” kundër Marko Gjuriçit, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Në komunikatë thuhet se Putini “e dënoi me vendosmëri” arrestimin e Gjuriçit, veprim që sipas tij “shkelë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Policia e Kosovës ndërhyri të hënën duke arrestuar zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, të cilin e dëboi më pas për në Serbi. Ndërhyrja nxiti reagimin e ashpër të Beogradit por edhe shqetësimet për qëndrueshmërinë e rajonit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Rusinë.

Presidenti serb tha të mërkurën në mbrëmje në Beograd se e ka siguruar presidentin rus se Serbia nuk do të marrë pjesë në kurrfarë masash kundër federatës ruse dhe nuk do të dëbojë diplomatët e saj pavarësisht faktit se pothuajse të gjitha vendet e rajonit ku ndodhet Serbia e kanë bërë tashmë një gjë të tillë.

Vuçiçi: Ja pse nuk rrëzohet qeveria e Kosovës

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për televizionin serb pas takimit me Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini e cila shkoi urgjentisht në Beograd pas arrestimit të Gjuriq në Mitrovicë, ka thënë se ‘Lista Srpska’ do të mbetet në opozitë dhe se Qeveria e Kosovës nuk do të rrëzohet.

Sipas tij, ‘Lista Srpska’ duke qëndruar në opozitë do të luftojë për serbët në Kosovë ndërsa do të marrë ndihmë për këtë nga shteti i Serbisë. Ndërkohë që Vuçiç ka thënë se përveç takimit me Mogherinin, ka folur në telefon edhe Ndihmës sekretarin Amerikan të Shtetit Ëess Mitchel.

 

“Nuk mendojmë që Qeveria në Prishtinë do të bjerë. Nuk do të bjerë pasi kur është puna të bëhen kundër serbëve të gjithë shqiptarët do të bëhen bashkë, për dallim nga serbët të cilët asnjëherë nuk do të bashkohen pasi nuk u vjen keq për Gjuriçin, e as për Vuçiçin në Srebrenicë, e as nuk u vjen rëndë për diçka të tillë”- ka thënë ai.

Vuçiç pas këtij takimi nuk ka komentuar faktin që Lista Srpska ka paralajmëruar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe njëanshëm më 20 prill, raporton Express.


Send this to a friend