VOAL

VOAL

Vuçiçi vizitë në Parlamentin e Turqisë

Vuçiçi tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë në nivel shumë të mirë, duke theksuar se këto marrëdhënie do t’i avancojnë edhe më tej

ANKARA – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vizitoi Parlamentin e Turqisë, ku u takua me kryeparlamentarin Ismail Kahraman.

Në fjalën e tij gjatë takimit, Kahraman u shpreh i gëzuar nga vizita e presidentin serb dhe delegacionit shoqërues.

“Në mes nesh ka një miqësi të vërtetë. Ju dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan mbyllët distancën gjeografike në mes dhe sollët një tërësi shpirtërore”, tha Kahraman.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiç tha se kanë forcuar miqësinë mes dy vendeve me kontributet e holomogut të tij turk Erdoğan.

“Tanimë nuk ka prishje urash, por ndërtojmë ura. Miqësia që ai ndërtoi me vizionin e tij në Ballkan dhe rajonin tonë do të ekzistojë dhe do të mbetet e përhershme”, tha Vuçiç.

Ai tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë në nivel shumë të mirë, duke theksuar se këto marrëdhënie do t’i avancojnë edhe më tej dhe se fushat e bashkëpunimit mes dy vendeve janë të shumta.

Presidenti serb u shpreh se duhet të veprojnë në mënyrë të shpejtë, efektive dhe të fuqishme në çdo fushë, përfshirë politikën, ekonominë dhe kulturën.

“Ne kemi shumë fusha bashkëpunimi dhe kapacitete”, shtoi Vuçiç.

Pas takimit, i shoqëruar nga kryeparlamentari turk Kahraman, Vuçiç vendosi lule në pjesën e dëmtuar të Parlamentit gjatë tentativës së FETO-s për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016.

Po ashtu, Kahraman e informoi Vuçiçin në lidhje me ndodhitë në parlament.

Vuçiç dhe Kahraman më pas kaluan në një drekë pune të shturar në nder të presidentit serb.

Gjatë vizitës në parlament, Vuçiç u shoqërua edhe nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Fikri Işık. aa

Vuçiçi: Njohjen e Kosovës po ma kërkon e gjithë bota, por nuk jam gati

Zgjidhjen e çështjes së Kosovës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç nuk e sheh aspak të lehtë. Sipas tij, zgjidhja e këtij problemi nuk do të jetë aspak i kënaqshëm për Serbinë. Gjatë një interviste për ‘Kurir’, Vuçiç ka thënë se të gjithë serbët do të jenë të pakënaqur duke e quajtur këtë situatë të tmerrshme pasi po merr ofertë pothuajse nga e gjithë bota për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne nuk e kontrollojmë më territorin e Kosovës, tanimë duhet ta kuptojmë këtë gjë. Deri këtu kemi ardhur si rezultat i politikës sonë të keqe në 2004 dhe 2008. Kujtojmë se në vitin 1999 u mposhtëm nga fuqitë më të mëdha botërore”, ka deklaruar presidenti serb.

Ai ka shtuar se tani Serbia ka një politikë racionale dhe se personalisht mbron politikën e pavarur të Serbisë, raporton express. Sa i përket ulëses së Kosovës në OKB, Vuçiç ka thënë se nuk dëshiron ta komentojë këtë çështje pasi do të pres të shoh se çfarë posedon plotësisht ‘marrëveshja historike’.
“Unë gjithmonë flas për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon. Kur është fjala për Kosovën shpresoj në gjetjen e një zgjidhje. Pavarësisht nga zgjidhja është fundi im në politikë”

I pyetur pse mendon se është fundi, Vuçiç ka thënë se serbët janë të tillë dhe nuk do të falin të ardhmen dhe paqen e tyre. “Jam i sigurt se nuk do të ketë kurrfarë kuptimi vendimi për Kosovën. Por nëse mendoni se nesër unë mund të them ‘Kosova është e pavarur’, unë nuk jam gati”, – është shprehur Vuçiç.

Daçiçi nuk ka të ndalur, vazhdon lobimin kundër njohjeve të Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka vazhduar fushatën e tij diplomatike kundër njohjeve të reja të pavarësisë së Kosovës. Gjatë ditës së sotme ai është takuar edhe me kryeministrin e shtetit të Nepalit, Sharm Oli, të cilin e ka falënderuar dhe vlerësuar për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast, Daçiç e ka informuar kryeministrin e Nepalit edhe për siç e quan ai rëndësinë e Kosovës për shtetin serb, si dhe situatën aktuale në vend. Madje Daçiç u shpreh optimist se raporte të tilla mes Serbisë dhe Nepalit do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke cilësuar se Nepali e ka respektuar gjithmonë integritetin territorial të Serbisë, transmeton lajmi.net.

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, po bën vazhdimisht fushatë kundër njohjeve të reja për Kosovën si dhe uljen e numrit të shteteve të cilat e kanë bërë një gjë të tillë.
Ai më herët kishte paralajmëruar se numri i shteteve të cilat njohin pavarësinë e Kosovës, do të bije nën 100. E për këto deklarata dhe veprime të tij, ai ishte kritikuar fuqishëm nga diplomatë të huaj të cilët veprimet e tij i kishin quajtur “irrituese”.

Sondazhi në Athinë – Grekët i konsiderojnë armiq shqiptarët, renditen të dytët pas Turqisë

ATHINË – Opinioni publik grek shfaqet intensivisht i trazuar dhe me mëdyshje për sa i përket zhvillimeve të fundit në lidhje me Turqinë, të cilën e e konsideron një fqinj armik, por një pjesë e konsiderueshme e tij shfaq thuajse të njëjtin mendim edhe për fqinjët e tjerë të Greqisë.

Në një sondazh të publikuar nga gazeta “Ethnos” e së dielës, 87% e grekëve cilësojnë Turqinë armikun numrin 1 të vendit dhe 63% shprehin frikën për mundësinë e një incidenti të “nxehtë” mes dy shteteve.

Të pyetur nëse konsiderojnë shtet armik dikë prej fqinjëve, përveç Turqisë për të cilën thonë “po” shumica dërrmuese, pozitivisht i janë përgjigjur pyetjes për Shqipërinë, 47% e të intervistuarve dhe 45% për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ndërsa një pakicë e vogël prej 10% ndan të njëjtin mendim për Bullgarinë.

Ndaj pyetjes se sa gjasa ka të kërcënohet integriteti territorial nga fqinjët, për Shqipërinë janë përgjigjur “po” vetëm 27% dhe 63% “jo”. Në të njëjtat përqindje thuajse janë përgjigjet edhe për ish-Republikën Jugosllave, ndërsa kur vjen fjala për Turqinë 78% e grekeve ndjehen të kërcënuar nga fqinji lindor.

Sipas sondazhit nëse këto vende do të integrohen në BE, 56% e grekëve beson se do përmirësohet qëndrimi i Shqipërisë ndaj Greqisë dhe po ashtu edhe i Maqedonisë, ndërsa për Turqinë më shumë se 64% mendojnë se kjo nuk do të ndodhë.

Gjithashtu shtatë ndër dhjetë grekë mendojnë se diplomacia duhet të jetë mjeti kryesor i ushtrimit të politikës së jashtme, ndërkohë që 82% vleresojnë se bashkëpunimi mes vendeve ballkanike do të përmirësojë nivelin e jetesës në rajon./TCH.

Policia serbe nuk e lejon Sheshelin të mbajë një tubim

Policia serbe ka bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në një fshat në veriperëndim të Beogradit, për të parandaluar liderin ultranacionalist, që të mbajë një tubim atje.

Vojsllav Sheshel ka planifikuar që të mbajë një tubim në fshatin Hrtkovvi, për të shënuar 26-vjetorin e mbajtjes së një fjalimi të tij atje, të cilin, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte, e kanë cilësuar si krim kundër njerëzimit për shkak se “ka nxitur dëbim dhe persekutim”.

Një protestues nga një grup rival është lënduar lehtë pas një konfrontimi me mbështetësit e Sheshelit, përpara se policia të ndalonte përshkallëzimin e mëtejmë të situatës, transmeton Reuters.

Policia serbe ndaloi që tubimi të mbahej në fshatin Hrtkovci, për shkak se minoriteti kroat që jeton aty, ndihej i kërcënuar.

Shumica e popullsisë kroate që ka jetuar në këtë fshat është shpërngulur nga aty në konfliktin e viteve të 90-ta.

“Ne duam të mbajmë një tubim paqësor dhe regjimi na e ndaloi këtë pa na dhënë shpjegim”, u tha gazetarëve Sheshel.

Teksa Sheshel po largohej, mbështetësit e Partisë Liberale Demokratike, mbajtën në duar parulla ku shkruej “Shesheli është kriminel lufte”. Kjo nxiti konfrontim në mes të protestuesve.

180 kriminelë shqiptarë në kërkim nga Greqia – i strehon Shqipëria

Më shumë se 180 kriminelë shqiptarë që kërkohen për krime të rënda në Greqi, po strehohen në Shqipëri.

Kështu shkruan e përditshmja greke “Kathimerini”, duke iu referuar burimeve policore.

Sipas kësaj gazete, bëhet fjalë për krime të kryera gjatë 18 viteve të fundit.

Konkretisht, autoritetet greke kanë lëshuar 184 urdhër-arreste për qytetarë shqiptarë të akuzuar për vepra të ndryshme penale që prej vitit 2000.

Asnjë prej tyre nuk është kapur.

Sipas policisë greke, shqiptarët e kërkuar për krime në Greqi janë arratisur dhe fshihen në Shqipëri.

Gjatë këtij viti janë lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për 14 shqiptarë, ndërsa në vitin 2017 u lëshuan 21 mandate kërkimi dhe 26 për vitin 2016.

Zyrtarë të lartë të Policisë Greke kanë thënë për Kathimerini se asnjë prej shqiptarëve të kërkuar nuk është ekstraduar në Greqi, me pretendimin se hasin në vështirësi nga autoritetet shqiptare.

“Në rastet kur kërkojmë ekstradimin e të dyshuarve, pala shqiptare na kërkon të dërgojmë shkresat të përkthyera në gjuhën shqipe në mënyrë që ata të mos ekstradohen në Greqi por të përballen me gjyqin në Shqipëri”, tha një burim policor për “Kathimerini”.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç: Daçiç, një këngëtar i dështuar mejhanesh

Kryeministri kroat nuk tallet me Daçiçin: S’merrem me një këngëtar të dështuar mejhanesh

Polemika poshtë brezit kanë shkëmbyer ministri i jashtëm serb, Ivica Daçic dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç.

Ndërsa Daçiç e cilësoi kreun e qeverisë së Zagrebit një “anemik”, Plenkoviç ju kthye duke e quajtur numrin 2 të qeverisë serbe një “këngëtar të dështuar mejhanesh”.

Debati mes Serbisë dhe Kroacisë vazhdon të bëhet për temën tashmë bajate të kohës së Luftës së Dytë Botërore, ku Beogradi kërkon të gjejë fajësi që të ekuilibrojë akuzat me krimet e tmerrshme serbe gjatë luftës ballkanike që nuk kanë mbushur as 25 vjet.

“Më vjen keq për Plenkoviçin, por nuk mund të këndoj Lili Marleen ose Thompson është gati për atdheun”, tha Daçiç nga India ku po merr pjesë në një tur për të gjetur vende që të refuzojnë njohjen e Kosovës, shkruan Tesheshi.

“Lili Marleen” është një këngë e njohur gjermane që u bë popullore gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi këndohej nga trupat e Boshtit Qendror, ose në shfaqet e dhëna për nder të këtyre trupave.

Plenković tha të mërkurën se Kroacia është një vendi i përgjegjshëm që dëshiron të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët dhe hodhi poshtë retorikën negative që artikulohet nga Serbia.

Kryeministri kroat ka veçuar presidentin Vuçiç për të cilin ka theksuar se është “serioz dhe i përgjegjshëm” kurse për Daçiçin tha se “është një këngëtar amator i pasuksesshëm”.

“Ne duam para së gjithash për të hapur një faqe të re të bashkëpunimit me të gjitha vendet fqinje dhe me vendosmëri duhet ta refuzojmë këtë retorikë negative që po vjen nga një ministër i Jashtëm i cili është i njohur vetëm për një gjë në karrierën e tij, se është një këngëtar rock-u i dështuar.

Daçiç, ndërkaq deklaroi se “kryeministri kroat është një politikan anemik që dëshiron të rrisë pikët brenda vendit duke sulmuar Serbinë”.

Daçiç po ashtu ka thënë një herë se “Kroacia më 15 qershor 1941 bashkua me Paktin Trepalësh e Gjermani, Itali dhe Japoni, si dhe i mbetur besnik Hitlerit, pas vetëvrasjes së tij më 30 prill 1945”.

 

Opozita turke përzgjedh kandidaturën presidenciale përballë Erdoganit, ja kush është

Partia Republikane e Popullit (CHP), partia kryesore e opozitës në Turqi, përzgjodhi sot deputetin Muharrem Ince për t’u përballur me kreun e shtetit, Recep Tayyip Erdogan në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, që do të zhvillohen më 24 qershor.

“Me ndihmën e Zotit dhe vullnetin e kombit do të zgjidhem president më 24 qershor”, u shpreh Ince gjatë një ceremonie në Ankara.

Orator energjik, Ince është shfaqur vitet e fundit si një prej kritikëve më të zjarrtë të Erdoganit.

Lideri i CHP-së, Kemal Kiliçdaroglu njoftoi muajin e kaluar se nuk do të ishte kandidat në zgjedhjet presidenciale të thirrura nga Erdogan.

”Ne do të shkruajmë historinë”, u shpreh ai përpara se të ftonte Ince në podium.

Gjatë fjalimit të parë si kandidat zyrtar i CHP-së, Ince u zotua për të qënë president i të gjithëve dhe i paanshëm nëse do të fitonte.

Vuçiç: Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë

Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe nismën e Mbretërisë së Bashkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Kosovën të mbahet me dyer të mbyllura

BEOGRAD – Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politika deri tek ekonomia, por edhe nga fakti se turqit janë turistët më të shumtë, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prag të vizitës në Turqi e cila do të realizohet më 7 maj.

“Zakonisht qytetarëve të Serbisë nuk u intereson shumë takimi me ndonjërin nga liderët, sepse dëshirojnë të shohin rezultate. Nga shkaku i Turqisë, ne kemi fabrika nga Vladiçin Han deri në Krupan, ndërsa së shpejti edhe fabrikë në Mali Zvornik me rreth 300 punonjës”, tha Vuçiç në një takim me gazetarët në Presidencën Serbe në Beograd.

Ai tha se marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë ka bërë që eksporti i mishit të rritet me 22 ose 23 për qind.

“Kjo hap mundësi të reja për të ardhmen. Kemi shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politike tek ato ekonomike, shtuar edhe faktin se turqit janë turistët më të shumtë, numër të cilin dëshirojmë ta rrisim”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe nismën e Mbretërisë së Bashkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Kosovën të mbahet me dyer të mbyllura.

Vuçiç tha se kjo nuk është vetëm nga britanikët, pasi siç tha, këtë tentojnë ta bëjnë edhe amerikanët, francezët dhe të gjithë ata që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga këndvështrimi i tyre, kjo punë ka marrë fund që atëherë, ndërsa pozita jonë nuk është aspak e lehtë, megjithatë, do të vazhdojmë të luftojmë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, periudha e ardhshme do të jetë shumë e rëndë për Serbinë dhe popullin e saj, meqë siç tha, presin presione të mëdha nga jashtë, por shtoi se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje kompromisi, për çka pret ndihmën e Rusisë, e cila tha se ka ndihmuar Serbinë në dy raste të ndara. aa

Turqi-Greqi tjetër incident: Anija turke përplas anijen luftarake greke me mision të NATO-s

Episod i ri në Egje. Anija tregtare turke “Karmate” është përplasur me anijen luftarake greke “Armatolos”, që kryen mision të NATO-s për refugjatët dhe emigrantët e paligjshëm.

Me deklaratë zyrtare, drejtoria ushtarake e Marinës Greke ka informuar për episodin duke theksuar se pas incidentit, anija turke u largua menjëherë drejt Turqisë, raporton gazetarja jonë në Greqi, Ira Londo.

incidenti 1

Episodi konsiderohet serioz pasi këto ditë u krye vizita zyrtare e kryeministrit Cipras në ishullin Mitilini, afër zonës detare të incidentit.

incidenti 4

incidenti 2

 

Haradinaj: Gjendja e dy udhëtarëve të aksidentuar në Serbi, jashtë rrezikut për jetë

Një autobus me udhëtarë nga Kosova që po qarkullonte nëpër Serbi, është aksidentuar dhe si pasojë, të paktën dy nga udhëtarët kanë marrë lëndime.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përveç dy udhëtarëve që janë lënduar dhe hospitalizuar, por që nuk janë në rrezik për jetë, udhëtarët tjerë nuk kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor.

Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se për aksidentin e autobusit që ka ndodh në Serbi, është informuar nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku.

“Do të vazhdojmë ta përcjellim në çdo moment gjendjen e qytetarëve tanë, por edhe të udhëtarëve tjerë” ka shkruar ai.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar se si pasojë e aksidentit dy shtetas të Republikës së Kosovës mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike Spitalore në Nish, të cilët kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike.

“MPJ njofton se të gjithë udhëtarët e tjerë janë liruar nga spitali pas trajtimit të nevojshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ministria e Punëve të Jashtme do të përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë aksident të trafikut dhe do t’ju mbajë të informuar me kohë”, thuhet në njoftim.

Kotzias: “Në fillim të qershorit marrëveshje për detin, çështja çame nuk ekziston”

Në fillim të qershorit mes Shqipërisë dhe Greqisë do të ketë një marrëveshje për çështjen e detit. Televizioni Skai në Greqi thotë se të dyja palët po punojnë fuqishëm për të arritur një marrëveshje deri në fund të majit.

Sipas Skait, nisja e negociatave të hënën u zhvilluan në “një klimë konstruktive bashkëpunimi”, dhe në bazë të kësaj marrëveshje, shteti grek mund të deklarojë Zonë Ekonomike Ekskluzive, gjë që po ndiqet me interes nga Athina.

Kontaktet me Shqipërinë pritet të vazhdojnë në javët e ardhshme, shkruan Skai. Kotzias e ka bërë të qartë që nuk ka “çështje çame” në tavolinë dhe diskutimi i pronës ka të bëjë me “ligjin e famshëm të luftës” me Shqipërinë.

Ministri serb: Do bëjmë kërkime për pasojat e bombardimeve nga NATO

BEOGRAD – Ministri serb i Mjedisit Goran Trivan ka bërë të ditur se në muajt në vazhdim do të formojnë një laborator kombëtar për kërkime shkencore lidhur me pasojat e bombardimeve të NATO-s.

Ai ka shpjeguar se kjo nismë përfshin bashkëpunimin e të gjithë laboratorëve të shtetit të aftë për ta marrë përsipër këtë hetim.

“Nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm të jemi të sigurt se çka ka ndodhur në vitin 1999, por duhet t’i tregojmë gjithë botës se në çfarë përfundime kemi arritur. Ne i kemi borxh publikut një shpjegim mbi atë që ka ndodhur, si dhe mbi pasojat e mundshme”, u shpreh ai për median serbe N1.

Si një fakt që janë në rrugën e duhur, ministri serb ka përmendur ushtarët italianë që vuanin nga sëmundje infektuese.

Kur u pyet nëse hetimi do të përfshijë edhe territorin e Kosovës, ai tha se kjo çështje nuk është politike. “Nganjëherë harrohet se hapësira e Kosovës ka qenë viktima më e madhe e këtyre bombardimeve. Në territoret e bombarduara me uranium të varfër, kanë lindur fëmijë që nuk kanë të bëjnë asgjë me politikë dhe atë çka ka ndodhur në atë kohë, por mund të jenë viktima të saj”, u shpreh Trivan.

Tutje ai e ka cilësuar si të gabueshëm refuzimin e publikut në Kosovë për të folur lidhur me këtë temë.

“Është e qartë se pasojat janë atje. Ne do të provojmë të bëjmë disa hulumtime në Kosovë, sepse kjo nuk është politikë, por është një përkushtim për ambientin”, tha ai.

Në tetorit të vitit të kaluar, tri ministri serbe mbajtën takimin e parë të përbashkët, ku u propozua që të llogariten pasojat e bombardimeve të NATO-s.

Kjo nismë së fundi ka marrë edhe mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Ballkani po armatoset deri në “dhëmbë”, me avionë, tanke dhe sisteme mbrojtëse

Përshkallëzimi i tensioneve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po reflektohet gjerësisht edhe në Ballkan, ku pjesa më e madhe e vendeve, pavarësisht mundësive financiare të kufizuara po përgatiten për më të keqen.

Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Greqia (që “hallin” më të madh e ka më Turqinë), po rinovojnë armatimet e tyre, kryesisht të përqendruar tek flota ajrore.

“Lojën” e hapi Serbia, fillimisht me një numër avionësh që Beogradit iu dhuruan nga Rusia dhe më pas me blerjen edhe të disa sistemeve më të avancuara shumëfunksionale. Bëhet fjalë për sistemet e mbrojtjes anti-ajrore, S-300, gjenerata paraardhëse e të famshmit S-400, prodhimi rus që cilësohet si më efektivi në botë.

S-300 dhe gjashtë avionë MiG-29, Serbia i bleu në nëntor të 2017 nga Bjellorusia, ndërkohë që Rusia i dhuroi më vonë nëntë avionë të tjerë po të të njëjti lloj. Në atë kohë, Moska i premtoi Beogradit edhe dërgimin e 30 tankeve dhe 30 automjeteve të tjera të blinduara si dhuratë, por nuk ka informacion nëse këto mjete kanë mbërritur apo jo.

Kroacia nga ana tjetër është drejtuar në lindje për të rinovuar flotën e saj ajrore. Zagrebi nënshkroi që në 2013 një kontratë me Izraelin për 12 avionë F-16, për një vlerë totale prej 500 milionë dollarë, të paktën sipas të dhënave zyrtare të publikuara në atë kohë.

Por nuk u mjaftua me kaq! Ministria kroate e Mbrojtjes njoftoi në mars të këtij viti se ka pranua ofertën e Izraelit për të blerë një numër të papërcaktuar avionësh luftarakë shumëfunksionalë, për një vlerë që nuk bëhet publike.

Po në mars të këtij viti edhe Bullgaria u hodh në tregun e armatimit. Ministria e Mbrojtjes hapi një tender ku pret ofertat më të mira për avionët “të përdorur” F-16 amerikanë, apo Saab Jas 39 Gripen suedezë, Typhoon britanikë dhe Mirage francezë.

Avionët, thotë Sofja zyrtare, do të përdoren për të zëvendësuar flotën ajrore të amortizuar sovjetike. Fondi i vendosur për këtë qëllim, por edhe për blerjen e mjeteve tokësore të blinduara është 946 milionë dollarë.

Edhe Maqedonia fqinje është angazhuar “me sa mundësi ka” për t’u armatosur. Në 2017, Shkupi disa helikopterë transporti dhe luftarakë. Po ashtu u morën edhe një sërë mjetesh të blinduara tokësore.

Më shumë nga të gjitha vendet e Ballkanit ka shpenzuar Greqia, e nxitur edhe nga ashpërsimi i tensioneve me Turqinë. Athina planifikon që brenda pak vitesh të fuqizohet me një flotë F-16 të blerë direkt nga Shtetet e Bashkuara, në një operacion që do t’i kushtojë 2.4 miliardë dollarë.

Lëvizja e Qeverisë greke u kritikua brenda dhe jashtë vendit, pasi mbërrin në një kohë kur vendi s’e ka marrë veten nga kriza e thellë financiare dhe ekonomike që e ka kapluar që prej 2008. Por, vetë Alexis Tsipras e mbrojti këtë blerje në Parlamentin vendas. Ai tha se me këtë shumë vendi garanton sigurinë dhe sovranitetin territoral për vitet në vazhdim dhe nuk cenohen xhepat e qytetarëve.

Vetë Turqia nga ana tjetër ka investuar ndër vite në flotën e saj ajrore, tanke dhe sistemet e mbrojtjes anti-ajrore. Ankaraja, anëtare e NATO-s, ka nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemeve antiraketë S-400, një lëvizje e kritikuar nga SHBA, që thotë se këto sisteme nuk përmbushin parametrat e Aleancës.

Rumania nga ana tjetër u përfshi në bisedime për të blerë 36 avionë F-16 direkt nga Shtetet e Bashkuara. Në shtator të 2017, mediat vendase raportuan se tre të tillë u blenë, ndërkohë që në 2016 mori 9 avionë luftarakë të të njëjtit model nga Portugalia.

Për 2017, Bukureshti shpenzoi 1.07 miliardë euro për ushtrinë, ndërsa që nga maji i 2016-s mban edhe mburojën e NATO-s kundër raketave ballistike, të vendosur në pjesën jug-perëndimore të rajonit Deveselu.(TCH)

U arrestua dhe pastaj u lirua dje nga policia serbe pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Është liruar pjesëtari serb i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Milosh Shoshic, i cili ishte arrestuar dje nga autoritetet serbe në Konçul.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha. “Sipas informacioneve e kanë liruar pjesëtarin serb të FSK-së”, tha Berisha. Berisha theksoi se arrestimi i tij, është bërë në bazë të deklaratës së zyrtarit serb Marko Gjuric se do t’i dënojnë deri në 10 vjet, pjesëtarët serbë të FSK-së.

“Nuk kemi informacione të sakta për çka është ndaluar. Por sipas të gjitha gjasave është vazhdimësi e asaj deklaratës që të gjithë pjesëtarët e FSK-së do të dënohen deri me 10 vjet burg. Ky është rasti i tretë që ka ndodhur ditëve të fundit, ata dy tjerët i kanë liruar pas dy orëve”, theksoi Berisha. Ai e ka vlerësuar këtë veprim të autoriteteve serbe të dëmshëm për raportet mes dy vendeve, madje sipas tij, duhet kushtëzuar edhe dialogu deri në ndaljen e këtyre veprimeve.

“Në këtë formë largohen shumë gjëra dhe nuk e di edhe puna e çështjeve tjera që nuk janë pjesë e FSK-së, por edhe dialog në fund të fundit duhet të kushtëzohet me sjelljet e tyre. Nuk mundemi ne ta vazhdojmë dialogun e ata të bëjnë skenarë të natyrave të ndryshme”, u shpreh ai. Pjesëtari serb i FSK-së, Milosh Shoshicc, ishte arrestuar dje në orën 14:00 në pikën kufitare në Konçul.

Turqia: Do të blejmë sisteme të mbrojtjes nga Rusia pavarësisht paralajmërimit të SHBA-së

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, foto nga arkivi

Turqia ka anashkaluar një paralajmërim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për të mos blerë sistem raketor të mbrojtjes S-400 nga Rusia, duke thënë se marrëveshja tashmë është kryer dhe nuk ka kthim.

Gjatë një takimi të NATO-s në Bruksel më 27 prill, Pompeo i ka thënë homologut të tij turk se Shtetet e Bashkuara janë të “shqetësuara thellë” lidhur me vendimin e Ankarasë për të blerë sistem të mbrotjes raketore nga Rusia, të cilat nuk përkojnë me sistemet e NATO-s, ka njoftuar një zyrtar.

Zyrtarët amerikanë, po ashtu kanë thënë se Pompeo ka paralajmëruar Turqinë se shtetet që blejnë sisteme të tilla nga Rusia rrezikojnë të përballen me sanksione të reja, të llojit që SHBA-ja ka vënë ndaj Rusisë, duke i goditur industrinë ushtarake dhe atë të mbrojtjes.

Mirëpo ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë për disa transmetues se blerja e sistemit të mbrojtjes është nënshkruar në muajin dhjetor dhe tani “është punë e kryer”.

Ai ka thënë se Rusia është “duke përshpejtuar procesin” për dërgimin e sistemit të mbrojtjes në Turqi.

“Ne kemi kompletuar procesin S-400. Ajo është punë e kryer”, ka thënë ai duke shtuar se Turqia nuk do të zmbraspet nga kërcënimi për sanksione.

“Qasja ‘Do të vendosim sanksione nëse bleni” nuk do të ketë ndikim në Turqinë”, ka thënë ai.

“Turqia nuk do ta pranojë këtë”.

Cavusoglu ka thënë se vendi i tij është e hapur për të blerë edhe armë tjera nga aleatët e NATO-s.

Ky vendim i Turqisë ka rritur tensionet të disa vende anëtare të NATO-s, të cilat kanë rritur forcat në krahun lindor të aleancës, për shkak të asaj që kanë cilësuar si rritje të kërcënimit rus.

Izetbegoviç: Do shkoja me qejf në Kosovë, nëse më ftojnë

“Po të më ftojë shteti i Kosovës unë me kënaqësi do ta vizitoja vendin tuaj”, ka thënë Bakir Izetbegoviç, udhëheqësi boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Ai ka deklaruar se ka dëshirë të madhe që ta thërrasin për vizitë në Prishtinë dhe këtë vizitë nuk do hezitonte ta realizonte nëse i vjen ftesa.

Përveç kësaj, ai ka shtuar se është e çuditshme se si Kosova dhe Serbia po flasin me njëra-tjetrën, ndërsa Kosova e Bosnja nuk po munden të arrin së paku në nivel të njëjtë të kontaktit, njofton Klan Kosova.

Izetbegovic ka pohuar gjithashtu se është për shkak të Republikës Serbe në Bosnje që shteti i tij s’po mundet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, ka shtuar se do të shohë se cilat janë mundësitë që së paku në nivel të shkëmbimit ekonomik të ketë lehtësime.

Bakir Izetbegovic dhe liderët e tjerë të rajonit po marrin pjesë në Samitin e Brdo – Brioneit, që këtë herë po mbahet në Shkup të Maqedonisë.

“Akt terrorist”, Serbia përgatit aktakuzë ndaj zyrtarëve të Kosovës për arrestimin e Gjuriçit

Ministri serb i Punëve të Jashtme Nebojsha Stefanoviç ka deklaruar se organet kompetente të Serbisë po ndërmarrin masa dhe veprime që do të duhej të shpinin në ngritje të aktakuzës kundër ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve për arrestimin e drejtorit të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, transmeton Koha.net.

Në foltoren e Kuvendit të Serbisë Stefanoviç ka thënë se “qytetarët e Serbisë janë dëshmitarë për aktin terrorist kundër Marko Gjuriç e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe Prokuroria për krim të organizuar ka filluar hetimet.

“Tashmë ekziston një drejtim i mirë në kuptimin se ne i kemi personat që kanë marrë pjesë në veprimet e ndryshme në këtë akt dhe që kundër atyre personave të ngrihet aktakuzë, ndërsa po priten rrethanat që ata të jenë të qasshëm tek organet tona dhe që t’i dorëzohen organeve tona të drejtësisë”, citon “Danas” të ketë thënë Stefanoviç.

Ai ka thënë Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme intensivisht në këtë dhe se nuk do të hiqet dorë që fajtorët të sillen para organeve tona.

Brnabiç: Për të mirën e serbëve do pranoja që Kosova të ishte pjesë e OKB-së

BEOGRAD – Zëvendëspresidenti i Partisë Popullore, Miroslav Aleksiç, ka thënë sot se shefja e Qeverisë së Serbisë, Ana Brnabiç ka pranuar se do të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që do t’i lejonte Kosovës një vend në OKB.

Siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, kryeministrja serbe i është përgjigjur një pyetje në Kuvendin e Kosovës nëse është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Prishtinën e cila Kosovës i “jep karrige” në OKB.

Në këtë drejtim, siç thuhet më tej, ajo ka thënë se “nuk do të trembem dhe as nuk do të hezitoj të nënshkruajë çfarëdo që të jetë e nevojshme për qytetarët serbë që të kenë siguri të plotë dhe një garanci për prosperitet të mëtejshëm”.

Ndërkohë, në një intervistë për The Guardian në Beograd këtë javë, përcjell Telegrafi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se beson se tanimë ka një interval kohor prej “gjashtë muaj apo një vit” në të cilën mund të jetë e mundur të nënshkruhet një marrëveshje me Prishtinën.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje të vetme, jemi gati të marrim parasysh çdo propozim të vetëm që do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”.

Gjithsesi, sipas këtij mediumi, Vuçiç në këmbim të kësaj kërkon një paketë përfitimesh për Serbinë.

Vuçiq: Marrëveshja me Kosovën, për gjashtë muaj ose një vit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se beson se brenda “gjashtë muajsh apo një viti”, mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë për çdo çështje, ne jemi të gatshëm të marrin në konsideratë çdo propozim i cili do të nënkuptonte një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për The Guardian.

Kosova dhe Serbia, që prej vitit 2011 janë duke mbajtur në Bruksel bisedime të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve.

Është thënë se të dyja shtetet duhet të arrijnë marrëveshje ligjërisht të obligueshme për këtë qëllim.

Qeveria e Serbisë shpall të padëshiruar ministrin kroat të mbrojtjes

BEOGRAD – Qeveria e Republikës së Serbisë në mbledhjen e sotme ka vendosur për masat e reciprocitetit ndaj Kroacisë, sipas së cilës zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krstiçeviç, deri në vendimin e radhës është i padëshiruar në Serbi.

Qeveria e Serbisë njofton se masa e reciprocitetit është marrë si përgjigje ndaj notës së Ministrisë së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë për ndalimin e hyrjes të ministrit serb të mbrojtjes Aleksandër Vulin në Kroaci.

“Qeveria e Serbisë konsideron se veprimet e tilla të Kroacisë janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe respektit të vlerave themelore evropiane, ku bënë pjesë edhe lëvizja e lirë e njerëzve”, thuhet në kumtesë.

Poashtu më tej potencohet se Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të çojnë në prishjen e marrëdhënieve me fqinjët.

“Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe respektit të parimeve dhe vlerave evropiane, në interes të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe rajonit”, theksohet në deklaratë.

Ministria e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, më 21 prill njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandër Vulin, nuk është i mirëpritur në Kroaci deri në njoftimin e mëtejshëm, sepse pas polemikave në opinionin kroat rreth vizitës së tij në Kroaci, pati deklaraur se në lidhje me të mund të vendos komandanti suprem i Ushtrisë së Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, dhe jo ministrat kroatë. Kjo u vlerësua si “përpjekje e pashembullt dhe e papranueshme për mohimin e sovranitetit të Kroacisë”. aa

Kritikohet vendimi i gjykatës serbe për lirimin e Cvjetanit, vrau 14 civilë shqiptarë më 28 mars 1999 në Podujevë

Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba

Fondi për të Drejtën Humanitare ka kritikuar lirimin e hershëm të Sasha Cvjetanit, duke thënë se gjatë gjyqit ai nuk ka shprehur kurrë keqardhje dhe pretendonte se procesi ishte “politik”.

Cvjetan ishte një anëtar i njësitit Shkorpionët i cili mori pjesë në vrasjen e 14 shqiptarëve në Podujevë me 28 mars të vitit 1999. Nga të vrarët kishte gra dhe fëmijë.

“Bëhet fjalë për gra dhe fëmijë, por edhe se ai gjatë gjithë vazhdimit të procesit ka mohuar fajësinë e tij, duke thënë se ky proces i është montuar politikisht”, tha Ivana Zhaniq, juriste në Fondin për të Drejtën Humanitare.

“Gjykata ka gabuar që i ka dalë përballë kërkesës së Cvjetanit dhe se është dashur që të merren parasysh edhe vet rrethanat nën të cilat ai e ka kryer veprën penale”.

Një gjykatë në Serbi e liroi Cvjetatin duke thënë se tashmë ai kishte kaluar dy të tretat në burg. I dënuar me 20 vjet ai është dashur të lirohet në vitin 2021.

Në masakrën e Podujevës pesë persona kanë shpëtuar duke marrë plagë të rënda. Njëra nga ta është edhe Saranda Bogujevci e cila u plagos me 16 plumba.

Ajo sot është deputete në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja ruse, që është në listë të zezë të SHBA-së, viziton Serbinë

Natalija Poklonskaja në vizitë në Serbi.

Deputetja e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, e zgjedhur në zgjedhjet në Krime, Natalija Poklonskaja, ndodhet për vizitë në Serbi, ku takoi anëtarët e Këshillit të Asamblesë së Serbisë për diasporën dhe serbët në rajon.

Poklonskaja, nga viti 2014 deri më 2016, ka qenë prokurore në Krime, pasi ky rajon ukrainas është aneksuar nga Rusia.

Për shkak të përfshirjes në krizën në Ukrainë, Poklonskaja, nga viti 2014, është në listën e zezë të Ministrisë së Financave të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet ukrainase e kanë futur Poklonskajën në listën e të kërkuarve, duke e akuzuar atë për “aktivitete për ndryshimin e dhunshëm të rendit kushtetues”.

Beogradi zyrtar e trajton Krimenë si pjesë të Ukrainës dhe nuk e njeh aneksimin rus.

Pas përdhosjes së flamurit kroat, rriten tensionet midis Serbisë e Kroacisë

Serbia dhe Kroacia kanë tensionuar marrëdhëniet, pas incidentit që ndodhi gjatë vizitës së delegacionit kroat në Beograd. Përdhosja e flamurit kroat nga lideri i radikalëve serbë ka tensionuar marrëdhëniet mes dy shteteve

Serbia kësaj radhe, sipas tabloidit Alo, është duke shqyrtuar ndalimin e hyrjes në vend për kryeministrin Andrej Plenkoviq, ministrin e Mbrojtjes, Tomo Medved dhe deputetin kroat, Miro Bul.

Gjatë vizitës së delegacionit kroat në Beograd, kryeradikali serb, Voisllav Sheshel, përdhosi flamurin e shtetit fqinj dhe shau zyrtarët nga Kroacia.

Kjo bëri që delegacioni kroat të ndërpresë urgjentisht vizitën dhe të kthehej në Zagreb, duke e quajtur veprimin e palës serbe si provokues.

Ndërkohë që Zagrebi zyrtar i ka ndaluar hyrjen në Kroaci ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin, Beogradi zyrtar është duke përgatitur emrat e zyrtarëve kroatë, të cilëve do t’iu ndalohet hyrja në Serbi si masë reciproke.

Jeremiçi: “Thaçi e Vuçiçi u pajtuan për këmbim territoresh, por nuk i lejoi Amerika”

Kryetari i Partisë Popullore të Serbisë Vuk Jeremiç ka bërë një deklaratë të fuqishme, ndërsa theksoi se presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, janë pajtuar për këmbim territoresh, por ky opsion dështoi, për shkak të faktorit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë cilësuar si të papranueshëm çfarëdo ndryshimi i kufijve, qoftë edhe me pëlqimin e ndërsjellë.
Në një intervistë për gazetën “Vreme”, Jeremiç ka thënë se Vuçiçi dhe Thaçi u takuan më 13 mars në Paris, dhe pastaj një javë më vonë në Nju Jork, që ishte një përgatitje për takimin e tyre të përbashkët me Federica Mogherini, më 23 mars në Bruksel, përcjell Telegrafi.

Sipas Jeremiçit, Vuçiç shprehu gatishmërinë e tij për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila praktikisht do t’i mundësonte ulëse Kosovës në OKB, por ka vlerësuar se është e nevojshme që të fitonte diçka të prekshme për këtë. “Ideja e tij ishte të merrte ndarjen e Kosovës, me saktësisht veriun e Kosovës, gjë të cilën e ka refuzuar Thaçi”, ka thënë Jeremiç. Në takimet në Paris dhe në Nju Jork, sipas Jeremiqit, “Vuçiq ka shkuar një hap më tej dhe ka ofruar këmbim të territorit, që në këtë paketë përveç ulëses në OKB, Kosovës t’i takojnë komunat në jug të Serbisë, dhe Thaçi u pajtua me këtë”. “Problemi lindi kur aktorët ndërkombëtarë, sidomos SHBA-të, thanë se në parim është i papranueshëm çdo ndryshim kufijsh, qoftë edhe nëse të dy palët pajtohen për këtë, sepse kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, i cili do të mund të zbatohej edhe diku tjetër në Ballkan”, tha Jeremiq.

Ish-ministri i jashtëm serb dhe presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Jeremiçi thotë se pas kësaj u krijua një problem serioz për Vuçiçin, sepse ai shumë më herët është obliguar për të nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, “dhe tani duket se për këtë nuk do të fitojë asgjë”. “Pika e fundit për të cilën Vuçiçi dhe Thaçi ishin marrë vesh ishte skenari i arrestimit të Gjuriçiit në veri të Kosovës”, thotë Jeremiçi.

Vuçiçi: Serbia do zgjidhjen e problemit të Kosovës për të shpëtuar nga falimentimi

BEOGRAD– “Dëshira e Serbisë është që të zgjidhet problemi i Kosovës, në mënyrë që ajo ta luftojë falimentimin, ta zvogëlojë borxhin publik dhe papunësinë, dhe do ta zgjidhim, nëse kemi mjaftë guxim dhe përmbajtje, kemi shans që ta zgjidhim këtë problem”, ka deklaruar kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai ka porositur, pas takimit me kryeministrin belg Charles Michel, se do të jep gjithçka prej vetes në mënyrë që të arrihet deri te ajo zgjidhje dhe se njerëzit në Serbi nuk duhet të presin që ajo të jetë maksimaliste, por vetëm rezultat i kompromisit të pranueshëm për të dyja palët.

Michel ka theksuar se Serbia është e rëndësishme për Bashkimin Evropian, sepse ka dimension rajonal, si dhe ai i takon njerëzve të cilët e vënë pozitën strategjike rajonale në maje të prioriteteve.

Prokurorët kërkojnë që Karaxhiçi të dënohet me burgim të përjetshëm

Prokurorët e Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje gjykatësve të Apelit, që ta dënojnë ish-udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, për akuzën gjenocid dhe ta dënojnë atë me burgim të përjetshëm.

Prokurorja Katrina Gustafson, para një paneli prej pesë gjyqtarësh të Mekanizmit për Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në Hagë, ka thënë se Karaxhiç ka “abuzuar fuqinë e tij për të derdhur gjakun e viktimave të panumërta” gjatë luftës në Bosnjë, që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve të 90-ta.

“Drejtësia kërkon që ai të marrë dënimin më të lartë të mundshëm – burgim të përjetshëm”, ka thënë Gustafson.

Në mars të vitit 2016, Karaxhiq është shpallur fajtor për dhjetë akuza që lidhen me mizoritë e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1992-95 dhe është dënuar me 40 vjet burgim.

Ai është dënuar për gjenocid, lidhur me rolin e tij në Masakrën e Srebrenicës, ku rreth 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë. Kjo ngjarje konsiderohet si masakra më e rëndë në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore.

Lufta në Bosnje mori jetën e mbi 100 mijë personave dhe rreth 2.2 milionë të tjerë, u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në apelin e tyre, prokurorët po ashtu po kërkojnë që të anulohet vendimin për lirimin e Karaxhiqit nga akuza e dytë për gjenocid që lidhet me sulmet dhe qëllimin për të shkatërruar popullsinë myslimane dhe kroate në pjesë të tjera të Bosnjës dhe ai të shpallet fajtor për këtë akuzë.

Karaxhiq, 72-vjeç, së bashku me ekipin e tij ligjor po ashtu kanë dërguar në Gjykatën e Apelit, dënimin e tij prej 40 vjetësh burgim. Karaxhiq ka kërkuar rigjykim apo lirim nga akuzat.

Vendimi për këtë çështje pritet të merret në fund të këtij viti.

Vuçiçi: Ushtria duhet të jetë gati në çdo moment për t’iu përgjigjur çdo agresioni

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar sot se ushtria duhet të jetë e gatshme në çdo moment ndaj çdo agresori potencial, raportojnë mediet serbe, transmeton “Zeri.info”.

 

Ai ka shtuar se është politika serbe ajo që duhet ta ruajë stabilitetin, në mënyrë që ushtria mos të shfrytëzohet asnjëherë. Këto deklarata Vuçiç i ka bërë Ditën e Ushtrisë së Serbisë, duke shtuar se shteti çdo vit i ndanë 600 milionë euro për ushtrinë.

Më herët është raportuar se shteti i Bjellorusisë i ka dhuruar Serbisë katër avionë luftarakë “Mig-29”, të cilët pas një remonti do të modernizohen sipas modelit të njëjtë të 6 avionëve tjerë luftarakë që i janë dhuruar nga Rusia.

Ministri serb, Vulin ka thene se dhurimi i këtyre avionëve vjen pas një marrëveshje mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe atij bjellorus, AlekSandër Lukashenko.

Ministri serb i Mbrojtjes ka bërë të ditur se për një vit Serbia do të ketë avionë të modernizuar “mig-29”, si dhe do të arrijnë helikopterët e parë “H-145M”.

Vulin ka shtuar se ekzistojnë tentime për shkeljen e hapësirës ajrore të Serbisë, të cilat siç ka thënë ai janë zbuluar dhe parandaluar.

Nuk do lejojmë formimin e ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin në OKB

Drafti i Strategjisë së Mbrojtjes, i publikuar nga Ministria serbe e Mbrojtjes thotë se Serbia do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me NATO-n dhe Organizatat e Traktatit të Sigurisë Kolektive si një vend ushtarak neutral. Siç vuri në dukje ‘Blic’ teksti i këtij drafti do të bëhet publik në tryeza të rrumbullakëta të cilat do të mbahen në Novi Sad, Nish dhe Beograd. Një pjesë e draftit i cili është publikuar në gazetë, thekson se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës por do të punojë në interes të stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira të mundshme serbo-shqiptare për të vazhduar dialogun me institucionet e ‘përkohshme të Prishtinës’ me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përcjell Lajmi.net.

 

“Është pohuar se Serbia do të angazhohet për një zbatim të përpiktë dhe të qëndrueshëm të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit dhe të jetë aktive në organizatat ndërkombëtare, do të ketë bashkëpunim bilateral që të përpiqet të parandalojë njohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare në veçanti në OKB”.

Tutje, gazeta thekson se Serbia do të japë mbështetje të plotë për pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Prishtinës në mënyrë që të mbrojë popullatën serbe, të rrisë sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me Rezolutën 1244. Po ashtu, thuhet se Serbia është e angazhuar për praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe se kundërshton ndryshimin e mandatit dhe transformimit të forcave të armatosura në ushtri, pasi sipas tyre kjo do të destabilizonte situatën në Kosovë dhe do ta dëmtonte sigurinë në rajon.

 

Karaxhiq apelon dënimin e tij me 40 vjet burgim

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, do të nisë më 23 prill një apel drejt gjykatësve të Kombeve të Bashkuara për dënimin e tij me 40 vjet burgim.

Karaxhiq, 72 vjçar ishte dënuar më 2016 për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në masakrën e Srebrenicës më 1995.

Më shumë se 100,000 janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen me dhunë gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995.

Atij i ishte shqiptuar dënimi nga gjyqtarët e Tribunalit të Hagës, që është mbyllur edhe zyrtarisht në dhjetor të vitit të kaluar.

Presidenti i këtij tribunali, Theodor Meron, ka deklaruar në muajin shkurt se apelet do të shqyrtohen nga Mekanizmi për Tribunale Ndërkombëtare për Krime (MICT).

Prokurorët po ashtu janë duke apeluar dënimin e tij 40 vjeçar, duke kërkuar që të shtohet dënimi me burg.

Vendimi pritet të bëhet i ditur vitin e ardhshëm.

Ish-kryeministri serb: Thaçi e Haradinaj ishin pjesë e shërbimeve sekrete të Shqipërisë

Ish-kryeministri i Serbisë, Nikola Sainoviq, ka folur për krerët shtetërorë të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi, si dhe për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, gjatë periudhës së viteve 1998-1999.

Në një intervistë të dhënë për ‘Espresso’ nga Serbia, Sainoviq vë në dyshim kinse veprimtarinë e UÇK-së gjatë periudhës së luftës.

“Në të 90-tat, Rugova mbajti zgjedhje në Kosovë. Ne nuk intervenuam diçka në këto zgjedhje, mirëpo sigurisht që nuk i njihnim. Struktura të ndryshme shqiptare në Kosovë morën pjesë në këto zgjedhje. Madje aty ishte edhe një degë e vogël e Partisë Staliniste Marksiste- Leniniste të Shqipërisë të ardhur nga Tirana. Kjo ishte partia e Enver Hoxhës që humbi zgjedhjet në Shqipëri por që kishte një përcjellje të vogël të votuesve në Kosovë. Në këto zgjedhje, ata nuk morën as pesë përqind, pra këta janë ata njerëz”, thotë Sainoviq.

Madje ai thotë se ata u bënë pjesë e shërbimeve sekrete të instaluara nga Shqipëria në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Ata janë bërë instrumente të shërbimeve sekrete të sigurisë të shtetit shqiptar, në fillim i formuar si shtab i përgjithshëm. Sipas raporteve tona ata formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të zvogëluar ndikimin e Rugovës në Kosovë dhe për ta shkatërruar ata brenda trupit shqiptar”, shton ai.

Sipas tij, drejtësia nuk është dëshmuar me gjykimin e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, pasi që siç thotë ai, edhe pse dy të akuzuarit në fjalë u shpallën të pafajshëm, gjyqi ndaj tyre vërtetoi se kampet ku ata pretendohet se ishin kryer krime, ekzistonin.

Ndryshe, ish-kryeministri serb, Nikola Sainoviq, ishte gjithashtu i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.

Presidenti grek refuzon shkëmbimin e ushtarëve me Turqinë

Presidenti grek Prokopis Pavlopoulos dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan. Foto nga arkivi

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos tha sot se refuzon sugjerimet për një shkëmbim të dy ushtarëve grekë të burgosur në Turqi, në këmbim të ushtarëve turq, të cilët Ankaraja i kërkon në lidhje me puçin e dështuar më 2016.

Komentet e presidentit grek vijnë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se Qeveria e tij mund ta shqyrtojë mundësinë që ushtarët grekë të shkëmbehen me ushtarët turq.

“Shkëmbimi i dy ushtarëve grekë që janë të burgosur me tetë ushtarët turq që janë në Greqi, as që vihet në diskutim”, tha Pavlopoulos.

Tetë ushtarët turq kishin ikur në Greqi pas grusht-shtetit të dështuar më 2016 në Turqi.

Gjykata Supreme greke ka vendosur që ushtarët turq të mos ekstradohen, pavarësisht kërkesave të Ankarasë se ata duhet të përballen me drejtësinë në Turqi.

Të tetë ushtarët mohojnë çdo përfshirje në puçin e dështuar.

“Ata (Greqia) kanë kërkuar që ne t’ua kthejmë ushtarët grekë dhe ne u kemi thënë atyre se nëse bëni kërkesa të tilla, fillimisht duhet të na i dorëzoni ushtarët e FETO-s, të përfshirë në grusht-shtet”, ka thënë Erdogan të shtunën, në një intervistë për televizionin NTV.

Ankaraja i referohet me akronimin FETO, Lëvizjes Hizmet të klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon se qëndron prapa tentim grusht-shtetit.

Lëvizja e Gulenit në Turqi është shpallur organizatë terroriste.

Gulen, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje.

Partitë opozitare ndihmojnë njëra-tjetrën për të sfiduar Erdoganin

Parlamenti turk. Foto nga arkivi

Pesëmbëdhjetë deputetë turq nga partia kryesore opozitare CHP, kanë shkuar në Partinë Iyi, në mënyrë që kjo parti të mund të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që janë thirrur nga presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Erdogan ka shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe presidenciale për 24 qershor. Zgjedhjet e rregullta ishin paraparë të mbaheshin mbas një viti.

Ky njoftim u prit me kundërshtim nga partitë opozitare pasi ata thonë se Erdogan synon të ketë një presidencë me fuqi më të mëdha ekzekutive.

Sfiduesi kryesor i Erdoganit po konsiderohet Meral Askener, ish-ministër i Brendshëm, i cili vitin e kaluar ka formuar Partinë Iyi.

Autoritetet duhet të vendosin nëse partia e Aksener, që ka vetëm pesë deputetë në Parlament, mund të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Prandaj, 15 deputetë nga partia sekulariste CHP i kanë bashkuar kësaj partie, për të përmbushur numrin e duhur në mënyrë që të marrë pjesë në zgjedhje.

Në Turqi, partitë me 20 e më shumë deputetë njihen si grupe parlamentare dhe me automatizëm kanë të drejtë të marrin pjes5 në zgjedhje. Partia CHP, pas largimit të këtyre deputetëve ka 116 deputetë në Parlamentin prej 550 ulësesh.

Kjo lëvizje thuhet se është bërë për të sfiuduar Erdoganin.

“Miqtë tanë nuk do të njihen si deputetë që lëshuan partinë e tyre. Historia do t’i njoh ata si heronj, që shpëtuan demokracinë”, ka thënë zëdhënësi i partisë CHP, Bulet Tescan.

Pas incidentit të Sheshelit me flamurin, Kroacia shpall ‘non grata’ ministrin serb

Raportet ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë po përkeqësohen edhe më shumë. Pas djegies së flamurit kroat nga Sheshel, kanë qenë disa deklarata të ministrit serb të Punës, Aleksandër Vulin që nuk i kanë pëlqyer liderëve kroatë. Gjatë një ceremonie përkujtimore për viktimat në kampin Jasenovac, Vulin deklaroi se do të shkonte në Kroaci, ndërsa theksoi se nuk kishte pse pyete ministrat kroatë, por Vuçiçin.

“Sigurisht që këto ditë nuk do të shkoja në Jasenovac. Do të shkoja vetëm ku ka serbë, pasardhës të viktimave. Dhe ai që do të vendoste është komandanti suprem i Serbisë, Aleksandër Vuçiç e jo ministrat kroatë”, kishte thënë dje Vulin, transmeton lajmi.net. Kjo deklaratë kaq direkte, ka shkaktuar reagim të ashpra në Kroaci.

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar mbrëmë vonë se deri në një vendim tjetër, Vulin është “persona non grata” (person i padëshiruar) në shtetin kroat. “Ka indicikacione se Vulini kur mbajti një përkujtim për viktimat e kampit në Jasenovac, kishte paralajmëruar një vizitë këtu. Ai është i njohur për një retorike të pahijshme, dhe deklarimet e tilla nuk kontribuojnë në raportet tona”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kroate.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç. Ai tha se deklaratat e tilla janë ofenduese, dhe nuk janë zgjidhje. “Kushdo që vjen këtu duhet ta respektojë shtetin kroat, dhe deklaratat ofenduese për momentin nuk janë zgjidhja më e mirë”, tha Plenkoviç. Në Kroaci u bë e ditur se të gjitha institucionet janë njoftuar që Vulinit t’i ndalohet hyrja. Edhe Kosova kohë më parë e kishte dëbuar për në Serbi këtë ministër. Kjo për shkak të retorikës nacionaliste që ai përdor.

Kotzias: Negociatat me Shqipërinë mbyllen në maj, çështja çame ja pse nuk ekziston

ARISTIR LUMEZI – Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, parashikon mbylljen e negociatave me Shqipërinë në fund të muajit maj. Duke folur për radion greke “24/7”, Kotzias foli për procedurën e vështirë që Ministria e Jashtme e Shqipërisë kishte me Presidentin Meta.

“Sa u takon negociatave, kemi mbetur në një çështje të fundit. Do të kemi mbledhje javët e ardhshme, ashtu siç parashikon Kushtetuta e vendit mik pas marrëveshjes që bëri Presidenti Meta me qeverinë e atjeshme. Kanë një procedurë të brendshme të vështirë. Besoj se deri në fund të majit do të jenë mbyllur esencialisht dhe formalisht edhe çështjet e fundit të hapura. E dini, janë probleme që ekzistojnë që prej 70-80 vjetësh. Kur të vijë për diskutim në Parlament, do të befasoheni me ato që do të dëgjoni dhe me idiotësitë që bëheshin nga të dyja palët”, tha Kotzias.

Sipas tij, në bisedimet e fundit nuk është hedhur për diskutim asnjëherë, nga asnjë palë, çështja çame.

“Askush në këto negociata nuk e ka shtruar çështjen çame, nuk kemi pranuar që të shtrohet një çështje e tillë në negociatat. Për pasuritë, të vetmet pasuri që ekzistojnë, janë ato që kanë të bëjnë me ligjin e luftës. Formalisht, në një sens, jemi akoma në luftë me Shqipërinë. Përderisa nuk bëhet me mjaftueshmëri juridike abrogimi i ligjit të luftës, këto pasuri mbeten të konservuara në duart e shtetit grek, që nga shpallja e luftës kundër Greqisë nga Italia dhe Shqipëria, që atëherë ishin bashkuar në një mbretëri. Këto janë që nga lufta, nuk kanë të bëjnë me çamët. Për çamët janë vendimet gjyqësore dhe janë vendime të parevokueshme”, ka përfunduar ministri i Jashtëm grek.

Duke akuzuar mediat greke, që sipas tij shkruajnë se negociatat me Shqipërinë janë fundosur, Kotzias tregoi mënyrën sekrete të zhvillimit të këtyre negociatave. “Nga Ministria e Jashtme greke nuk rrjedhin më dokumente dhe lajme, sepse dikur partitë opozitare merrnin dokumente nga ministria dhe ia jepnin mediave duke nxjerrë lajme. Sepse nëpunësit e Ministrisë së Jashtme, diplomatët, ekspertët dhe juristët kanë qëndruar në lartësinë që e kërkon koha, e dinë mirë se po bëjmë një strategji shumë serioze kombëtare, marrin pjesë dhe vetë në këto negociata dhe nuk lejojnë që të dalin jashtë çështjet që diskutohen”, tha Kotzias.

PANORAMA

Ambasada amerikane në Bosnje: Aludimi në luftë – i papranueshëm

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë shprehu “shqetësim të madh” për retorikën për ndarjen e Bosnjës, e cila, siç tha, shqetëson opinionin.

“Ka qenë vështirë të arrihet paqja në Bosnje. Marrë parasysh të kaluarën jo të largët në Bosnje, përmendja e luftës apo aludimi në luftë është i papranueshëm”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

E njëjta thekson se thirrjet për armatosje janë të rrezikshme dhe se nuk duhet të jenë pjesë e fjalimeve publike.

“Qartë dhe zëshëm u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të përmbahen nga deklaratat e tilla të dëmshme”, tha ambasada amerikane në Sarajevë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Deklarata e anëtarit boshnjak të Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq, se Federata e Bosnjës duhet të shtrijë prodhimin e armëve, si për treg, ashtu edhe për “mos e dhëntë Zoti”, ka nxitur reagime të ashpra të politikanëve në Republikën Sërpska.

Daçiçi: Kosova nuk do mbijetojë si shtet, por do bashkohet me Shqipërinë

BEOGRAD -Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Serbia dëshiron të arrijë një kompromis me Kosovën, por se kjo çështje nuk mund të përdoret në politikën e tregtisë së jashtme si një kusht për t’u bashkuar me BE-në, transmeton “Zëri.info”.

Duke folur në një konferencë të titulluar “Trajnimi i udhëheqësve politikë”, Daçiç ka thënë se dialogu me Prishtinën po zhvillohet në mënyrë që të arrihet një marrëveshje, por se ajo nuk mund të jetë e njëanshme, dhe se njëra palë nuk mund të merr gjithçka, dhe tjetra asgjë.

Daçiç vuri në dukje se Kosova nuk do të mbijetojë si shtet, por do të bashkohet me Shqipërinë njëherë e përgjithmonë.

Ai nënvizoi se çdo shteti mund t’i ndodhë ajo që i ka ndodhur Serbisë me rastin e Kosovës dhe se është e domosdoshme të krijohen dhe respektohen parimet që do të udhëheqin të gjithë, raporton media serbe ‘Blic’.

“Ne luftojmë sepse duam një kompromis dhe ata nuk e duan. Është sikur divorci, njëra palë nuk mund të marrë gjithçka, duhet të ketë një proces dhe një marrëveshje”, theksoi Daçiç.

Amfilohije: Xhinxhiçi ka qenë më i mençuri, kokën mund ta ketë humbur për shkak të Kosovës

Mitropoliti malazez Amfilohije, i cili haptazi thotë se një pjesë madhe e Dukagjinit të Kosovës i takon Malit të Zi, ka thënë për të përjavshmen “Nedeljnik” se me deklaratën e tij se “i frikësohet faktit që politika e Aleksandër Vuçiçit çon në tradhti të Kosovës”, nuk e ka sulmuar dhe as nuk e ka lënduar kryetarin e Serbisë.

“Para së gjithash, unë as Vuçiçin dhe as ata (ministrat në Qeveri) s’i kam fyer me asgjë. Kam shprehur brengën se shqetësohem, për shembull, për shkak të kësaj politike që zhvillohet që nga Marrëveshja e Brukselit që e kanë nënshkruar në vitin 2013 dhe se do të hiqet dorë nga Kosova. Ky nuk është sulm ndaj askujt”.

Ai ka shtuar se nëse kjo vërejtje kuptohet si sulm, ajo i është drejtuar Qeverisë në krye të së cilën atëherë ka qenë Ivica Daçiç.

“Prej pesë vitesh shqiptarët nuk pranuan të respektojnë atë që e kanë nënshkruar në Bruksel. Më normalja do të ishte që të anulohet ajo që është nënshkruar në Bruksel dhe të anulohet bartja e çështjes së Kosovës në BE dhe kthimi i saj atje ku e ka vendin – në Këshillin e Sigurimit të KB-së”, ka thënë ai.

Amfilohije ka folur edhe për fjalimin që e ka mbajtur në varrimin e kryeministrit serb të vrarë Zoran Xhinxhiç kur kishte thënë “kush luan me thikë, nga thika do të vdesë”.

“Unë këtë e kam thënë për vrasësit e Xhinxhiçit”, ka thënë Amfilohije, dhe ka shtuar se mendon që kryeministri Xhinxhiç “ka qenë më esëll se të gjithë ata që erdhën në pushtet pas tij në Serbi duke përjashtuar, ndoshta Koshtunica”.

“Ka rrëfime se ai ka refuzuar të nënshkruajë diçka të ngjashme me Marrëveshjen e Brukselit, të cilën këta e nënshkruan më 2013 dhe se për këtë ai e ka humbur kokën. Nëse është kështu, kjo i bën nder”, ka thënë Amfilohije.

Gjuriç: Asociacionin e hartojmë ne, jo Prishtina

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, u ka thënë mediave serbe se ekipi drejtues është duke punuar në hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe duke u bazuar në Marrëveshjen e Brukselit e jo “sipas akteve interne dhe vendimeve të Prishtinës”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar për mediat serbe se serbët e Kosovës nuk do të tërhiqen nga formimi i “Zajednicës”, ndërsa ka konkluduar se Prishtina nuk e ka ndërmend që të mundësojë formimin e AKS-së në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit.

Ai ka siguruar se ekipi drejtues është duke punuar në hartimin e statutit të “Zajednicës”, ndërkohë që Prishtina nuk e ka ndërmend të mundësojë formimin e AKS-së në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit, shkruan më tutje “Zëri”.

“Statuti i AKS-së nuk do të hartohet sipas akteve interne dhe vendimet të Prishtinës, por në pajtim të plotë me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Në marrëveshjen e Brukselit qartë theksohet obligimi i Prishtinës që t’i ndryshojë ligjet e saj, sepse sipas atyre të tanishme që janë në fuqi nuk parashikohet AKS-ja e unë mendoj se Prishtina nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë dhe nuk e kam të qartë se për ç’arsye atëherë kanë biseduar me ne?”, ka thënë Gjuriç, duke shtuar se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin e presidentit Vuçiç me kancelaren gjermane Angela Merkel.


Send this to a friend