VOAL

VOAL

Ministri grek i Mbrojtjes bën deklaratë befasuese: Do zgjerojmë ujërat tona territoriale

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos ka bere nje deklarate te forte qe ka ngjallur shume reagime. Ai ka deklaruar se Greqia së shpejti do të zgjerojë hapesiren e ujerave te veta territoriale, ne kuader te njohjes se zonave ekskluzive ekonomike (ZEE).

Sipas mediave greke, Kammenos ka thene se Greqia me njohjen se shpejti te zonave ekonomike ekskluzive (EEZ) do të fillojë të punoje per shfrytezimin e pasurisë nën det, per prodhimin e gazit natyror dhe ndoshta naftës më vonë.

Siç tha ai, “ne jemi në një moment te rendesishem në historinë e kombit, shumë shpejt do të “zgjerojmë” ujërat tona territoriale, njohjen e ZEE, shfrytëzimin e pasurisë nënujore dhe vendi ynë do të hyjë në një epokë të re”.

Me tej, duke dashur te shmange keqkuptimet theksoi se nuk behet fjale per nje zgjerim ne kuptimin fillestar te fjales.

Vuçiç: NATO-ja e ka bërë të qartë që nuk mund të dërgojmë trupa në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën në Beograd se NATO-ja e ka paralajmëruar atë kundër çfarëdo përpjekjeje për të dërguar forcat serbe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente gjatë një veprimtarie në Beograd duke komentuar spekulimet në medie por edhe deklarimet e përfaqësuesve të ndryshëm politikë në Serbi për dërgimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai tha se disa herë është paralajmëruar për këtë çështje.

“Nëse do të provonit të hynit me ushtrinë tuaj në Kosovë, me policinë tuaj në Kosovë, në çfarëdo mënyre, NATO-ja do ta trajtojë këtë si akt armiqësor dhe do të hynit në konflikt me fuqinë më të madhe ushtarake në Kosovë”, citoi ai t’i kenë thënë zyrtarë të lartë perëndimorë. “Këtë po e them për shkak të popullit tonë”, tha ai, duke nënvizuar se dëshiron të sqarojë qytetarët e tij se “atyre nuk u intereson Rezoluta 1244 por vetëm fuqia dhe gjendja faktike.

Sipas tij, kjo e vështirëson pozitën e Serbisë e cila “duhet të përpiqet të ruajë paqen dhe sigurinë dhe të ndërtojë një jetë më të mirë dhe një ekonomi më të fortë për qytetarët e saj”.

Ai tha se bisedimet janë e vetmja zgjidhje, ndërsa kritikoi platformën e qeverisë së Kosovës për bisedimet me Serbinë.

“Kur e lexoni atë platformë, e shihni se nuk kanë lënë asnjë milimetër, as edhe një për qind hapësirë për çfarëdo marrëveshje”, tha ai, duke nënvizuar se nuk është optimist për bisedimet që pritet të mbahen në Bruksel, por Serbia, tha ai, do të bëjë gjithçka që të arrihet një kompromis.

Platforma e qeverisë së Kosovës prej tetë pikash, parasheh që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova e Serbia pritet që të rifillojnë bisedimet gjatë këtij muaji, në një përpjekje për t’i hapur rrugë arritjes së një marrëveshjeje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Planet e Bashkimit Evropian për një takim të nivelit teknik gjatë kësja jave që do t’i hapnin rrugë një takimi të nivelit më të lartë politik, kanë ndryshuar. Beogradi kërkon që asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë tema kryesore e bisedimeve, ndërsa Prishtinë thekson se nuk do të bisedojë për asgjë nëse nuk zbatohen të gjitha marrëveshjet.

Bisedimet fillimisht teknike mes Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011. Në prill të vitit 2013 Kosova dhe Serbia arritën e marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve që përfshinte një gamë çështjesh, pas të cilave bisedimet kryesisht u zhvilluan për rrugët e zbatimit të saj. Bisedimet e deritashme i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Por ajo vazhdon të jetë e fundit në proceset integruese evropiane.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian.

Kotzias: Brenda pak ditësh zgjidhen problemet në negociatat me Maqedoninë

Shefi i diplomacisë greke tha se nga pesë alternativat e propozuara nga ndërmjetësi Nimetz, “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia e Veriut” janë ende në tryezën e bisedimeve

ATHINË – Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, tha se beson që problemet në negociatat për mosmarrëveshjen rreth emrit me Maqedoninë do të zgjidhen brenda pak ditëve në vijim.

Në një intervistë për televizonin shtetëror grek ERT, Kotzias theksoi se i kanë kushtuar vëmendje dhe durim çështjes së negocitave, të cilat, sipas tij, në përgjithësi nuk kanë shkuar në vijë të drejtë dhe janë shoqëruar me batica dhe zbatica.

“Unë kam besimin se problemet do të zgjidhen brenda pak ditëve në vijim”, u shpreh Kotzias, duke shtuar se qeveria e Maqedonisë është e vetëdijshme për disa vështirësi.

Po ashtu, shefi i diplomacisë greke tha se nga pesë alternativat e propozuara nga ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz, “Maqedonia e Re”, Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia e Veriut” janë ende në tryezën e bisedimeve.

Kujtojmë se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev më herët ka thënë se janë pranë një zgjidhjeje të mundshme. aa

Partia kundër emigrimit fiton zgjedhjet në Slloveni

Janez Jansha

Pas numërimit të shumicës së votave në zgjedhjet parlamentare të Sllovenisë, rezulton se partia opozitare e krahut të djathtë e udhëhequr nga ish-kryeministri, Janez Jansha kryeson dukshëm në krahasim me garuesit tjerë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka thënë më 4 qershor se pas numërimit të 99 përqind të votave, Partia Demokratike Sllovene ka fituar 25 përqind të votave, duke fituar 25 nga 90 ulëset e parlamentit.

Aktori dhe politikani, Marjan Sarec, nga lista e pavarur e të majtëve është listuar i dyti me 12.7 përqind të votave, apo 13 ulëse në parlament.

Tri partitë tjera, Social Demokratët, partia e kryeministrit në shkuarje Miro Cerar dhe ajo e të majtëve kanë fituar secila rreth 9 përqind.

Në rast se rezultatet mbesin të njëjta, asnjëra parti nuk mund të sigurojë shumicën në Parlament, andaj ato duhet të nisin negociata për formimin e koalicionit qeverisës.

Përmes një fjalimi televiziv, 59-vjeçari Jansha ka thënë se partia e tij “i ka dyert e hapura dhe është e gatshme për koalicion” me të gjitha partitë.

Jansha ka qenë kryeministër në periudhat 2004-2008 dhe 2012-2013.

Ai ka kaluar gjashtë muaj në burg më 2014, pas dënimit të bazuar në akuza për ryshfet, të lidhura me një marrëveshje për armët më 2006, mirëpo është liruar masi Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar një rigjykim, i cili nuk u zhvilluar për shkak të skandimit të afatit kohor dhjetëvjeçar.

Jansha ka mohur vazhdimisht çdo keqbërje.

Ai njihet si aleat i kryeministrit hungarez me qasje kundër emigrantëve, Viktor Orban.

“Për shkak të politikës së tij për migrimin, Hungaria tani është shtet i sigurt, derisa Belgjika nuk është”, pati thënë Jansha përmes një postimi në Twitter.

Votuesit në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Hungarinë dhe Poloninë, kanë përkrahur partitë që kundërshtojnë planet e bllokut, sipas të cilit shtetet duhet të pranojnë azilkërkues sipas kuotave.

Partia e Janshas, e mbështetur nga nacionalisti hungarez, Viktor Orban, kundërshton ashpër këto kuota, duke thënë se shumica e të hollave që përdoren për të mbështetur azilkërkuesit duhet të ndahen për forcat e sigurisë.

“Partia jonë vendos Slloveninë, sllovenët të parët”, ka thënë Jansha pas rezultateve, duke shtuar se partia e tij është e gatshme për bisedime me të gjitha palët tjera.

“Ne jemi të hapur për bashkëpunim, Sllovenia është duke u përballur me kohë kur na duhet bashkëpunimi”, ka shtuar tutje ai.

Presidenti Boru Pahor ka thënë se partisë që ka fituar më së shumti vota do t’i japë mundësinë për të formuar Qeverinë, mirëpo SDS-së i duhet të bëjë koalicion me të paktën dy parti për të fituar shumicën.

Dalja në këto zgjedhje ka qenë 51.5 përqind në krahasim me 51.7 përqind katër vjet më parë.

Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është njoftuar në muajin mars, pas dorëheqjes së kryeministrit, Miro Cerar pak kohë para se të përfundonte mandatin. Largimi i tij ka pasuar një vendim të Gjykatës Supreme për organizimin e një referendumi të ri mbi një projekt të investimeve hekurudhore të mbrojtur nga qeveria.

Mundësia e zgjedhjeve të reja

Jansha ka thënë se kriza e migrantëve është një nga sfidat më të mëdha me të cilët përballet BE-ja, duke shtuar se blloku duhet të punojë për të përmirësuar kushtet në shtetet prej nga vijnë migrantët.

Analistët kanë parashikuar se formimi i Qeverisë mund të jetë proces i vështirë madje disa besojnë se zgjedhjet e reja mund të organizohen shumë shpejt.

Kabineti i ri pritet të reformojë sektorin shëndetësor joefikas dhe sistemin pensional të Sllovenisë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Turqi: Mbyten në det nëntë refugjatë, përfshirë fëmijë

Ilustrim

Në bregdetin lindor të Turqisë u fundosën nëntë refugjatë duke përfshirë gjashtë fëmijë, raportojnë autoritetet. Të dielën në 2:22 të mëngjesit, varka e tyre u fundos në ishullin Kekova Geyikova në një provincë të Antalias.

Katër nga refugjatët, përfshirë një grua dhe tre burra, u shpëtuan nga një anije peshkimi.

Një person është zhdukur si dhe ende nuk dihet kombësia e refugjatëve.

Bashkimi Evropian ka rritur përpjekjet për të bllokuar emigrimin për shkak të miliona njerëzve që arritën në Turqi më 2015.

Vuçiçi: Nuk e kemi njohur Krimenë si pjesë të Rusisë për shkak të Kosovës

Në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shpjeguar arsyet pse Beogradi ende nuk e ka njohur Krimenë si pjesë të Rusisë.

Ai këtë e ka argumentuar duke përmendur rastin e Kosovës. “Ne nuk e kemi njohur Krimenë si pjesë të Rusisë. Nëse do ta bënim do të thotë se e mbështesim edhe pavarësinë e Kosovës. Vendoseni vetën në pozicionin tonë. Cili nga anëtarët e Këshillit të OKB-së e mbështet integrimin tonë territorial”, tha Vuçiç.

Presidenti serb më tej deklaroi se integrimet evropiane të Serbisë dhe marrëdhëniet me Moskën nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin.

“Nuk ka kontradikta. Presidenti francez tha të njejtën gjë, se Rusia është vend mik. Nga ana jonë ne duam të forcojmë raportet me Rusinë. Nga pikëpamja ushtarake e mbajnë neutralitetin tonë, dhe gjithsesi kemi rrugën evropiane”, theksoi Vuçiç.

Krimea pretendohet të jetë bërë pjesë e Rusisë në mars të vitit 2014 pas një referendumi, ku 96.77% e votuesve kërkuan bashkimin me Rusinë. Por edhe Ukraina e konsideron Krimenë si territor të sajin.
Duke e akuzuar Rusinë për përzierje në konfliktin e brendshëm të Ukrainës, Perëndimi kishte vendosur disa sanksione mbi Moskën.

Madje shteti rus kishte hedhur poshtë pretendimet që e fajësonin për bashkimin “jodemokratik” me Krimenë.

Ankara, samiti për Ballkanin dhe roli i Turqisë në rajon

Nga: Erion Kaçorri, Turqi

 

Çfarë kërkon Turqia në Ballkan, pse është Ankaraja kaq e përfshirë në vendet e rajonit dhe përse shikohet me sy kritik nga disa vende? Këtyre pyetjeve u përpoqen t’i japin përgjigje politikanë, akademikë, analistë të zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare si dhe përfaqesues fetare nga 11 vende, si Shqipëria, Greqia, Hungaria, Kroacia, Serbia, Bosnja, Kosova etj, gjatë një samiti dy ditor të zhvilluar në Ankara nga Agjencia turke për Bashkëpunim dhe Koordinim në bashkëpunim me Institutin e Mendimit Strategjik SDE. Gjatë samitit, zëvendëskryeministri turk Hakan Çavusoglu theksoi rëndësinë e strukturës multikulturore të Ballkanit.

“Paqja botërore nuk është e mundur nëse struktura multikulturore, shumëgjuhësore dhe multireligjioze e Ballkanit nuk bëhet simbol i qetësisë, paqes dhe bashkëjetesës”, theksoi në fjalimin e tij Cavusoglu.

Ndërkohe sipas presidentit të TIKA-s Serdar Cam dallimet në rajon në fakt ishin një shembull i pasurisë që karakterizon Ballkanin. “Qytetarët e Ballkanit, të cilët kanë gjuhë, kulturë dhe fe të ndryshme, kanë treguar shumë mirë se si kanë jetuar së bashku dhe janë bërë model për të gjithë globin” deklaroi Cam.

Sipas mendimtarit turk Ibrahim Kalin, këshilltar i presidentit te Turqise, kombet e ndryshme të Ballkanit e kanë parë Turqinë dhe Perandorinë Osmane si pjesë të së njëjtës imagjinatë gjeopolitike. “Kjo mund të duket shumë romantike apo idealiste për disa, por realiteti është se turqit, shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët ndërtuan një kulturë dhe qytetërim që shkoi përtej vijave kufitare të rajonit. “Askush nuk mund të studiojë dhe të kuptojë jetën kulturore, fetare, artistike dhe politike osmane pa pranuar kontributet kryesore të figurave letrare, shkencore dhe politike të prejardhjes ballkanike” deklaroi Kalin i cili gjithashtu u kujtoi te pranishmeve ne kete samit se ishte Sami Frasheri nga Shqiperia autori i fjalorit të parë të rëndësishëm osman. Sipas Kalin, Turqia nuk sheh ndonjë kontradiktë mes zhvillimit të marrëdhënieve të mira me Serbinë nga njëra anë dhe Bosnje-Hercegovinës nga ana tjetër. Sipas tij përpjekjet e Turqisë për të ndikuar në njohjen e shtetit të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar ndihmojnë më shumë sesa pengojnë përpjekjet për paqe në rajon. Gjatë samitit të Ankarasë u analizuan zhvillimet e fundit në Ballkan, e ardhmja e rajonit, nevoja për vazhdimësinë e multikulturalizmit si dhe Identitetet Natyrore dhe Fiktive në Ballkan.

ECHR: Lituania dhe Rumania bashkëfajtore në torturat e CIA-s

Pamje nga burgu, Guantanamo Bay.

Gjyqtarët evropianë kanë vendosur se Lituania dhe Rumunia kanë shkelur të drejtat e dy terroristëve të dyshuar të Al-Kaidës, duke lejuar CIA-n t’i torturojë ata.

Shtetet e Bashkuara kishin arrestuar Abu Zubaydah dhe Abd al-Rahim al-Nashiri, pas sulmeve të 11 shtatorit më 2001 dhe tani gjenden në burgun, Guantanamo Bay.

CIA ka vepruar në burgje të fshehta në disa shtete, duke përfshirë Lituaninë dhe Rumaninë.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), ka thënë se dy shtetet kanë shkelur ligjin evropian për ndalim të torturës.

Ekzistenca e të ashtuquajturave “vendet e errëta” të CIA-s për marrje në pyetje, është mbajtur sekret për shumë vjet, pas sulmit të 11 shatorit.

Abu Zubaydah, palestinez i lindur në Arabinë Saudite, është thënë se ka qenë shef i rekrutimit në kuadër të Al-Kaidës në vitet 1990 dhe më vonë është bërë organizator kyç që ka lidhur Osama Bin Laden me rrjete tjera të Al-Kaidës.

Sipas inteligjencës amerikane, Abd al-Nashiri, i lindur po ashtu në Arabinë Saudite ka udhëhequr operacionet e Al-Kaidës në rajonin e Gjirit Arab.

Gjykata Evropiane ka thënë se njëri nga burgjet e CIA-s ka qenë në territorin e Rumanisë, ku Abd al-Nashiri është përballur me “regjim tejet të ashpër të burgimit”.

I njëjti vendim është shpallur edhe kundër Lituanisë, duke ngritur shqetësime për trajtimin e Abu Zubaydah në periudhën kohore 2005-2006.

Gjyqtarët kanë cituar dokumente të CIA-s, sipas të cilave të dyshuarit për terrorizëm janë përballur me izolim, përdorimin të vazhdueshëm të prangave në këmbë dhe ekspozim të tepruar ndaj zhurmës dhe dritës. rel

NATO nga 5 qershori do të ruajë qiellin e Malit të Zi

“Meqë Mali i Zi nuk ka avionë ushtarakë, aleatët do t’i ndihmojnë në sigurimin e hapësirës ajrore”, qëndron në njoftimin e NATO-s

PODGORICË – Aleatët e NATO-s Italia dhe Greqia nga 5 qershori do të fillojë patrulla ajrore të NATO-s mbi Malin e Zi, njoftojnë nga Aleanca.

“Meqë Mali i Zi nuk ka avionë ushtarakë, aleatët do t’i ndihmojnë në sigurimin e hapësirës ajrore”, qëndron në njoftimin e NATO-s.

Nga Brukseli theksojnë se Mali i Zi kontribuon drejt sigurisë së përbashkët të Aleancës me dërgimin e ushtarëve në misionin për stërvitje të NATO-s në Afganistan dhe duke dhënë mbështetje financiare për forcat afgane të sigurisë.

“Në shenjë solidariteti mes aleatëve, Italia dhe Greqia do të ndihmojnë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Malit të Zi. Avionët italianë dhe grekë edhe më tej do të jenë me bazë në vendet e tyre amë dhe sipas nevojës do të përdoren”, sqarojnë nga NATO.

Patrullimi ajror, siç theksojnë nga NATO, nuk është përgjigje e ndonjë kërcimi specifik, por është e rëndësishme komponenta që e jep NATO si siguri për anëtaret e saj. aa

Policia pengon futjen e fotografive me simbole kombëtare nga Kosova në Serbi

Policia kufitare serbe, ndaloi futjen në territorin e Serbisë të disa fotografive dhe një katalogu fotografish me simbolet e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë, që ishin pjesë e një ekspozite të artistes Eliza Hoxha që do të hapet në Beograd.

Ndalimi i fotografive u bë derisa një grup artistësh po udhëtonin për në Beograd për të marrë pjesë në festivalin “Mirdita, Dobar Dan”, nëpërmjet të cilit synohet shkëmbimi i veprimtarive artistike si mjet për normalizimin e marrëdhënieve.

Ndalimi i fotografive nxiti reagime të ashpra në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi, tha se po i ndjek me shqetësim pengesat që autoritetet e Serbisë po ua bëjnë artistëve dhe të rinjve nga Kosova që janë nisur për të marrë pjesë në ekspozitën “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd.

“Arti, kultura, sporti nuk duhet të pengohen nga politika, veçanërisht kur angazhohen për paqe e pajtim. Për më tepër, kjo sjellje e autoriteteve të Serbisë është në kundërshtim të frymës së bashkëpunimit që po ndërtojmë në rajon dhe në kundërshtim me përpjekjet për të vënë raporte evropiane në mes vendeve të rajonit. Kjo bëhet edhe më e rëndë pas mesazheve të qarta të dhëna në Samitin e Sofjes në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor se vendet e Evropës Juglindore nuk kanë të ardhme evropiane pa ndërtim dhe normalizim të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore”, shkroi ai.

Kryeministri Ramush Haradinaj, shkroi në facebook se “Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes rrjetit social twitter, i quajti “skena të turpshme në kufi, pasi autoritetet e Serbisë po keqtrajtojnë artistë të Kosovës që udhëtojnë për në Beograd. Ne kërkojmë nga qeveria serbe që menjëherë të ndërpresë abuzimin e qytetarëve tanë ose do të marrim masa reciproke. Marrëdhëniet nuk mund të jenë normale nëse ndalojnë artistët të marrin pjesë në ekspozita”,thuhet në reagimin e zotit Hoxhaj.

Shameful scenes at the border, as #Serbian authorities are mistreating #Kosovo artists traveling to Belgrade. We demand from Serbian Gov to immediately stop abusing our citizens or we’ll take reciprocal measures. Relations can’t be normal if they ban artists to attend exhibitions pic.twitter.com/FhhlOnrTQy

— Enver Hoxhaj (@Enver_Hoxhaj) May 30, 2018

Festivali që mbahet nga sot deri më 2 qershor organizohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi në bashkëpunim me disa organizata nga Kosova me synonim për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një vit më parë, autoritetet serbe i ndaluan pjesëmarrjen në kët festival ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ishte ftuar aty për të folur për librin, ”Dua të dëgjohem” – Libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë.

Kundër festivalit që sivjet mbahet për herë të pestë, gjatë javës kanë protestuar parti dhe lëvizje të djathta në Serbi.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës në shkëmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Daçiç: Disa shqiptarë kanë thënë se ndarja është zgjidhja më e mirë për Kosovën

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka thënë se disa përfaqësues shqiptarë kanë folur se ndarja është zgjidhja më e mirë për Kosovën.

Sipas tij, pala kosovare pa praninë e ndërkombëtarëve, do të pranonte edhe ndarjen.

“Unë vazhdoj të them se shqiptarët, kur do të fillonim të bisedonim me ta pa mentorët e tyre, do të pranonin për ndarjen e Kosovës, pasi kjo edhe për ata do të ishte një zgjidhje e mirë”, tha ai transmeton Novosti.

“Duhet të pranoj që presidenti Aleksandër Vuçiq ka bartur mjaft ngarkesë kur bëhet fjalë për kërkimin e zgjidhjeve për Kosovën. E dini, nuk është aspak e lehtë të diskutohet dhe të bindet një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare që t’i rishikojë gabimet e tyre. Shumë nga Perëndimi nuk dëshirojnë të pranojnë asgjë përveç përmbushjes së të gjitha kërkesave të shqiptarëve. Kjo nuk mundet. Serbëve kurrgjë, e shqiptarëve të gjitha. E çfarë janë pastaj këto bisedime? Këto janë ultimatume”, u shpreh ai.

Daçiq ka folur edhe për përballjet me ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

“E keni parë që ndaj çdo argumenti tim në OKB, Vlora Çitaku përmendi Sllobodan Millosheviçin. Aman, njerëz, lini njeriun, ai ka vdekur, hajde të zgjedhim problemet”, theksoi ai.

I pyetur se me cilin përfaqësues nga Prishtina Serbia do të gjente gjuhën e përbashkët, Daçiq tha se është e vështirë të bisedohet me Behgjet Pacollin, Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçin.

Jahti i Josip Titos shndërrohet në muze, për të do të investohen mbi 5,4 milionë euro

Superjahti i ish-liderit jugosllav, Josip Broz Tito do të restaurohet dhe trasformohet në një muze, njoftoi media kroate.

Josip Broz Tito udhëhoqi Jugosllavinë për 35 vjet, deri në vdekjen e tij, në vitin 1980.

Superjahti për kohën, i quajtur ”Galeb” (”Pulëbardha”), ka qënë i frekuentuar nga politikanë të rangut të lartë, diva hollivudi, dhe aktualisht gjendet në portin e lumit Rijeka, në veri te Adriatikut, i ndryshkur, me mobiljet luksoze të shkatërruara dhe në gjendje të mjerueshme.

”Për të do të investohen mbi 5,4 milionë euro”, sipas medias kroate.

Kryeministri grek: Maqedonasit s’kanë lidhje me Aleksandrin e Madh, kanë rrënjë sllave e shqiptare

SELANIK – Gjatë fjalës së tij nga Selaniku, Kryeministri grek, Aleksis Cipras tha se Greqia në negociatat për çështjen e emrit të Maqedonisë synon të marrë diçka që të tjerët e kanë dorëzuar para më shumë se 70 vjetësh. Ai tha se fqinjët veriorë nuk kanë asnjë lidhje me Aleksadrin e Madh dhe se kanë rrënjë sllave dhe shqiptare.

“Fqinjët tanë veriorë për mbi 70 vjet kanë një entitet shtetëror, qoftë në kuadër të Federatës Jugosllave, qoftë si shtet i pavarur më vonë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që quhet Maqedoni dhe mbajnë një emër i cili, pa asnjë referencë tjetër revokon botën antike greke dhe trashëgiminë e rëndë kulturore të Maqedonisë greke. Këtë po shkojmë të marrim. Nuk është e lehtë. Disa budallenj na thonë se po shkojmë të japim. Shkojmë që të marrim, jo që të japim.

Po shkojmë të pajtohemi me fqinjët tanë të cilët kanë një entitet shtetëror që për 70 vjet quhet Maqedoni, por që nuk ka asnjë lidhje me Aleksandrin e Madh dhe rrugëtimin e tij historik. Kanë rrënjë sllave dhe shqiptare dhe këtë ata e pranojnë. Nëse fitojmë përcaktues para emrit Maqedoni është fitore e madhe dhe akoma më e madhe nëse merremi vesh se tjetër është Maqedonia ynë që vjen nga tradita e lashtë e botës antike greke, ndërsa tjetër është tradita e tyre dhe shenja e tyre kulturore”– deklaroi Aleksis Cipras.

Xhon Keri takohet në Beograd me Vuçiçin

Xhon Keri dhe Aleksandër Vuçiç, Beograd 2015

Ish sekretari i SHBA-së Xhon Keri dhe biznesmeni amerikan Tim Kolins janë takuar sot në Beograd, pa asnjë paralajmërim, me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren e shtetit Ana Brnabiq.

Sipas një deklarate të lëshuar nga kabineti i presidentit Vuçiq temë e bisedimeve ishte ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në rajon. Gjithashtu, thuhet se në këto takime është diskutuar edhe për investimet amerikane në Serbi.

Në deklaratë bëhet e ditur se Serbia do të investojë edhe më shumë në zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit.

“Forcimi i sektorit të teknoligjisë së informacionit do të rrisë zhvillimin e ekonomisë serbe dhe do të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e prodhimit të brendshëm”, thuhet në deklaratën e presidencës serbe.

BE dhe investimet turke në Ballkanin Perëndimor

Në samitin e javës së kaluar të Bashkimit Evropian në Sofje u bë e qartë se vendet e Ballkanit Perendimor nuk mund të presin një rrugë të shpejtë anëtarësimi. Por vonesat e Bashkimit Europian për zgjerim, pas daljes së Britanisë dhe pasojat e krizave të borxhit dhe imigracionit, kanë bërë që rajoni i Ballkanit Perendimor të kthehet në një fushë loje për pushtet mes BE-së,Turqisë, Rusisë dhe Kinës që konkurrojnë gjithashtu për ndikim.

Ivan Isailoviç, kryebashkiaku i qytetit të vogël serb të Krupanjës, është duke kërkuar investitorë jo në Mynih apo Paris, por në Stamboll – një shenjë e ndikimit në rritje të Turqisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, që shqetëson disa shtete të BE-së.

Isailoviç kërkon punë për komunitetin e tij të varfër dhe të izoluar që shtrihet në kodrat e pyllëzuara pranë kufirit perëndimor të Serbisë me Bosnjën. Dhe preferenca e tij se ku të kërkojë për kompani që mund të jenë të interesuara, pasqyron gatishmërinë e Turqisë për të investuar dhe shtrirë ndikimin e saj në e vendet e Ballkanit, dikur pjesë e Perandorisë Osmane.

“Investimet turke në Krupanj dhe në përgjithësi në Serbi janë shumë të rëndësishme. Në territorin e Serbisë ekzistojnë më shumë se 100 biznese turke. Njëra prej tyre është ‘Jeanci’, një kompani që unë mendoj se është më e mira, pasi punësoi 150 njerëz pas përmbytjeve që kishim”, thotë kryetari i bashkisë së Krupanjit, Ivan Isailoviç.

Ndërkohë po rritet perceptimi se qeveritë dhe investitorët e Evropës Perëndimore po shpërfillin tregjet e vogla dhe të ndara të një rajoni shumë pranë tyre.

Udhëheqësit e BE-së u takuan javën e kaluar me homologët e tyre nga Serbia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, duke rënë dakord të ndërtojnë më shumë lidhje për energjinë dhe të punojnë më ngushtë për çështjet që nga kundërshtimi i radikalizmit e deri tek kontrolli i migracionit.

Por ky ishte takimi i parë i këtij lloji në 15 vite dhe BE-ja e bëri të qartë se vendet nuk mund të prisnin një rrugë të shpejtë të anëtarësimit në bllok.

Sipas Dhomës serbe të Tregtisë, 20 uzina turke u hapën vitin e kaluar ose janë në ndërtim e sipër në vend, e cila ka gjithashtu lidhje historike me Rusinë.

“Investitorët turq deri tani kanë investuar më shumë se 100 milionë euro dhe punësojnë rreth 8,000 punëtorë. Ajo që është interesante me investitorët turq është se ata investuan kryesisht në zonat e pazhvilluara në Serbi, që do të thotë në zonat ku nuk ka punë”, thotë Marko Cadez, kreu i Dhomës serbe të Tregëtisë.

Vëllimet e tregtisë mes Turqisë dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të hyjnë në BE, janë rritur vazhdimisht, duke u rritur nga 435 milionë dollarë në 2002 në 3 miliardë dollarë në vitin 2016.

Me 340 milionë euro të investuara në Kosovë, shumica për të blerë një aeroport dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë, Turqia është investitori i tretë më i madh në vend.

Vehbi Kajtazi është kryeredaktor i portalit “Insajder”:

“Mendoj se Turqia do të vazhdojë presionin e saj politik. Nuk e di se sa shumë janë në gjendje autoritetet e Kosovës dhe institucionet e saj të brishta t’i rezistojnë presionit politik nga Turqia. Së dyti, mendoj se influenca e Turqisë dhe presioni do të vazhdojnë përmes fesë”.

Në Bosnje, një vend etnikisht i ndarë në të cilin myslimanët përbëjnë shumicën, Turqia ka shpenzuar 300 milionë euro në projekte, duke përfshirë rindërtimin e xhamive dhe monumenteve të periudhës osmane.

Disa evropianë janë të zhgënjyer që rajoni mund të rrësshqasë nën sferën e influencës së Turqisë, pasi Ankaraja po projekton fuqinë e saj përmes kulturës si dhe marrëveshjeve të biznesit.

Tensionet në Egje, Ankaraja i kërkon Athinës: Mos bëj ‘llogari të gabuara’…

Mes tensioneve në rritje midis Turqisë dhe Greqisë mbi incidentet në Egje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Hulusi Akar i ka kërkuar në mënyrë indirekte Greqisë që të mos bëjë “llogari të gabuara”.

“Ne mund të kryejmë operacione në Afrin [në veriperëndim të Sirisë]. Ne mund të kryejmë operacione në lindjen dhe juglindjen e Turqisë. Nëse është e nevojshme, ne do të përmbushim çdo detyrë që mund të na caktohet në Mesdhe dhe në Egje pa hezitim. Askush nuk duhet të bëjë llogaritje të gabuara mbi këtë çështje”, citohet të ketë thënë Akar nga agjensia shtetërore Anadolu më 20 maj.

Akara nuk përmendi haptazi Greqinë, por deklarat e tij i referohen qartësisht këtij shteti, pasi ka pasur tension midis dy vendeve anëtare të NATO-s mbi pretendimet qe kane per sovranitetin e disa ishujve në Detin Egje, raporton “Hyrriet”.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia po “ndjek gjithashtu nga afër zhvillimet në Detin e Zi” dhe është në bisedime të vazhdueshme me vendet bregdetare për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Mali i Zi paralajmëron për mur kufitar me Shqipërinë

Mali i Zi nuk e përjashton mundësinë e ndërtimit të një muri me tela në kufirin me Shqipërinë për të parandaluar kalimin e emigrantëve ilegalë. Kështu ka deklaruar këtë të dielë një zyrtar i qeverisë malazeze. Për shkak të fluksit të emigrantëve ilegalë, kryesisht sirianë, që kalojnë nga Shqipëria drejt Malit të Zi, po mendohet të ndërmerren masa për të frenuar këtë dukuri.

Nëse do të ketë një fluks të madh të emigrantëve, do të ngremë mur me tela në kufirin me Shqipërinë”, tha për televizionin shtetëror Vojislad Dragoviç, kreu i Departamentit për Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror të Malit të Zi.

Ai shtoi gjithashtu se autoritetet shqiptare në shumë raste kishin refuzuar të pranonin klandestinët që kthente Mali i Zi, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të ripranimit të emigrantëve.

Mijëra emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme po synojnë të shkojnë drejt Evropës Perëndimore. Kontrabandistët e refugjatëve kanë gjetur një korridor të ri në Ballkan, duke kaluar nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës për të arritur në Kroaci, e cila është vend anëtar i BE-së.

Shumë shtete evropiane kanë ngritur mure me tela në kufijtë e tyre për të frenuar fluksin e refugjatëve. Hungaria ka vendosur gardh në kufijtë me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës që shpërtheu në vitin 2015, kur më shumë se 1 milion emigrantë hynë në Evropë.

Numri i emigrantëve dhe refugjatëve në Mal të Zi është rritur dhe fluksi i shtuar ka tejkaluar mundësitë e shtetit për t’i akomoduar në mënyrën e duhur.

Në vitin 2015, në qytezën Spuzhë, afër kryeqytetit Podgoricë, Mali i Zi ka hapur qendrën e azilit, ndërkohë që ka paralajmëruar edhe dy të tjera në kufi me Shqipërinë, në Zogaj të Ulqinit dhe në Han të Hotit, në Malësi.

Historiani malazez: Kisha Serbe në shërbim të Rusisë, do ruajtjen e konfliktit të ngrirë në Kosovë

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë të zemëruar, sepse rekomandimi i tyre nga Kuvendi i fundit rreth çështjes së Kosovës nuk është përfillur fare, shkruajnë mediat malazeze.

Sipas gazetës “Pobjeda”, përfaqësuesit e Kishës janë në favor të një konflikti të ngrirë, që nuk mund të jetë opsion për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Historiani malazez Milovoj Beshlin, ka folur lidhur me atë se pse për Kishën Serbe Kosova është ‘tokë shpirtërore’ dhe pse duhet të jetë brenda kufijve të shenjtë të Serbisë, kur ajo tek në vitin 1912 hyri në përbërje të Serbisë.

“Nuk dua të jem cinik, por për të gjithë kryeqyteti është aty ku është arka. Një arkë shumë e mbushur e Kishës Serbe është në qendër të Beogradit. Çdo gjë tjetër është politikë e pastër dhe retorikë ideologjike të cilën Kisha e ka përdorur me të madhe”, tha historiani Beshlin.

Ai potencon se është në interes të Kishës dhe të promotorëve të tyre rusë ruajtja e status quo-s, pra mbajtja e gjendjes së një konflikti të ngrirë.

“Përmes çështjes së pazgjidhur të Kosovës arrihen disa gjëra: i lejohet Rusisë për të ndikuar në situatën politike dhe ekonomike në Serbi, ndihmohen synimet e Rusisë për të destabilizuar Ballkanin dhe përmes tij destabilizon gjithë Evropën. Problemi i pazgjidhur i Kosovës është një burim i përhershëm i destabilizimit dhe ekstremizmit nacionalist në Serbi, me çka gjenerohet një valë e vazhdueshme e nacionaliste dhe anti-perëndimore dhe orientimi pro-rus te qytetarët e Serbisë”, thotë Beshlin.

Sipas tij, “projekti nacionalist serb ka dalë fitues çdo herë kur është përfillur Kisha, por Serbia në çdo rast të tillë doli humbëse”.

“Çështja e pazgjidhur e Kosovës është një burim i vazhdueshëm i ekstremizmit nacionalist dhe ndihmojnë synimet ruse për të destabilizojë Ballkanin”, ka thënë historiani.

Gjukanoviç zyrtarisht merr detyrën si president i Malit të Zi

Gjukanoviç dha betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviç i skadon mandati

CETINË – Presidenti i ri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç sot ka dhënë betimin para deputetëve të Kuvendit me ç’rast mori detyrën në këtë post.

Gjukanoviç dha betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviç i skadon mandati.

“Betohem me nderin tim në Kushtetutën e Malit të Zi se detyrën e Presidentit të Malit të Zi do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Si President i shtetit, unë do ti përkushtohem ruajtjes së pavarësinë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimin e tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shtet i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”, tha Gjukanoviç.

Përveç deputetëve, në seancën ceremoniale në Shtëpinë e Qeverisë në Cetinë morën pjesë ish-Presidentët e Malit të Zi, Parlamentit dhe Qeverisë, zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe krerët e institucioneve shtetërore.

Në seancë morën pjesë anëtarë të Qeverisë, personalitete fetare, rektorë universitarë, anëtarë të trupit diplomatik, ambasadorë jo-rezidentë, përfaqësues ushtarakë të mbrojtjes dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Pas betimit dhe fjalimit të mbajtur para zyrtarëve, Gjukanoviç përshëndeti edhe anëtarët e Rojes së nderit të Armatës së Malit të Zi.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill, Gjukanoviç fitoi 53.9 për qind të votave. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për 5 vite.

Presidenti i Malit të Zi përfaqëson shtetin në vend dhe jashtë tij, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, propozon kandidatët për kryeministër, president dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në Parlamentin e Malit të Zi.

Presidenti i propozon parlamentit që të shpallë referendum, të miratojë amnisti për vepra penale, ndarjen e mirënjohjeve dhe çmimeve dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Që nga sistemi shumëpartiak, presidentë të Malit të Zi kanë qenë Momir Bulatoviç, në dy mandate, Gjukanoviç një herë dhe Filip Vujanoviç tri herë.

Ish ministri i jashtëm kundër referendumit në Serbi: Kosovën e kemi humbur

BEOGRAD – Deklaratat në Samitin e Sofjes nga Vuçiçi se dëshiron ta zgjidhë problemin me Kosovën, po i përkrahin edhe oponentët e tij në Serbi.

Vuk Drashkovic ish-ministër i jashtëm dhe tash lider i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe, po thotë se Vuçiqi po i paraqet qëndrimet reale për Kosovën.

Drashkovic ka thënë se Kosova është e humbur, prandaj ka dalë kundër referendumit, transmeton lajmi.net.

“Vuçiç na e kujton me kujdes, pasi e di edhe ai se Kosova është e humbur, kjo është një luftë që ne e kemi nënshkruar, pra nuk ka shtet të Serbisë në Kosovë. Vendosi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se ky vendim nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara”- tha ai.

Drashkoviq ka theksuar se qëndrimi i tij kundër referendumit për Kosovën, është pasi serbët nuk po i njohin faktet dhe po e cilësojnë Kosovën pjesë të Serbisë.

“Unë mendoj se kjo duhet të shmanget, pasi njerëzit nuk e dinë aspak, pra nuk i njohin faktet. Pra njerëzit mendojnë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë”, theksoi Drashkoviç.

Ndryshe pikërisht për një zgjidhje me Kosovën, Vuçiç së fundi ka zhvilluar vizita në Gjermani, Turqi e Rusi.

Gazetari serb merret në pyetje nga prokuroria lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviç

Gazetar serb Stefan Cvetkoviq, nga Bela Crkva, ka deklaruar se gjatë kthimit të tij nga Kosova, është ndaluar dhe është intervistuar për gjashtë orë në stacionin e policisë në pikëkalimin kufitar në Jarinë.

Ai ka thënë se nga  Policia e Kosovës në pikën e kalimit kufitar të Jarinës ka marrë konfirmim me shkrim se është mbajtur në stacion policor në afërsi të kufirit, për t’u marrë në pyetje me urdhër të prokurorit special, i cili është duke hetuar vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Cvetkoviq të shtunën në mëngjes nga Serbia kishte hyrë në Kosovë, siç tha ai, sepse është duke punuar në hulumtimet lidhur me vdekjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa Policia e Kosovës kishte lëshuar vendim për ta mbajtur në pikëkalimin kufitar.

“Ata nuk kishin asnjë mënyrë tjetër për të ardhur tek unë, pasi ata kishin vënë re se kam kontaktuar me disa njerëz që janë në interes të tyre për hetim”, i ka thënë Cvetkoviq agjencisë Beta, përcjell Telegrafi.

Ai tregoi se tashmë ka kaluar në Serbi dhe se ishte “përsëri i lirë”.

“Zyrtarët policorë më kërkuan falje dhe më shoqëruan në pikalalimin kufitar. E vetmja gjë e pakëndshme ishte se më mbajtën aq gjatë në paqartësi, derisa erdhi ekipi i prokurorit nga Prishtina”, tha Cvetkoviq, duke shtuar se ka marrë një kopje të vendimit të për marrje në pyetje.

Cvetkoviq tha sot më parë se ai ishte mbajtur në stacionin e policisë në pikën e kalimit të Jarinës për gjashtë orë dhe u pyet për të bërë një deklaratë dhe informacion në lidhje me vrasjen e një politikani të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Gazetari serb Stefan Cvetkovic u bë i njohur për publikun pasi u dënua me më shumë se dy vjet burg sipas akuzave të  zyrtarëve të Partisë Progresive Serbe.

Opozita greke nuk e pranon emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”

ATHINË – Kryeministri grek Cipras ka informuar kreun e Nea Demokratisë, Mitsotakis përmes telefonit se me Zoran Zaev ka diskutuar për emrin Republika e Maqedonisë së Ilindenit njoftojnë nga partia opozitare greke.

Siç edhe njofton korrespondenti i MIA-s nga Athinë për Demokracinë e Re, emri konkret nuk është i pranueshëm, sepse lidhet me krijimin e një shteti maqedonas dhe një kombi që përfshin edhe Selanikun.

“Ky emër është historikisht dhe drejtpërdrejt i lidhur me aspiratën për të krijuar një komb “maqedonas” dhe një shtet që përfshin Selanikun dhe shtrihet deri në Detin Egje. Çdo përmendje e Ilindenit në emër të vendit fqinj, jo vetëm që nuk i jep fund irredentizmit të Shkupit, por e konfirmon dhe e forcon atë. Prandaj është e papranueshme që edhe të vendoset si një temë për diskutim”, thonë nga partia opozitare greke.

“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç një tjetër hap drejt njohjes së Kosovës”

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë edhe një hap drejt njohjes së pavarësisë dhe shkëputjes së Kosovës. Kështu thotë kumtesa e Partisë Demokratike të Serbisë, të cilën e përcjell FoNet. Këtë hap drejt njohjes së Kosovës, kjo parti e vëren te fakti se kryetari serb Vuçiç në Sofje ka nënshkruar, bashkë me kryetarin e Kosovës Hashim Thaçi, Marrëveshjen ndërkombëtare për digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Koha.net.

Sipas kumtesës, deklarata të cilën e kanë miratuar liderët e Bashkimit Evropian, kushtëzon se njohja, e cila mundet por nuk duhet të ndodhë, varet nga zbatimi i marrëveshjeve inkluzive detyruese për zgjidhjen e kontesteve bilaterale.

Kur bëhet fjalë për Serbinë, kjo do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës dhe marrëveshje për kufirin shtetëror ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, konstaton kumtesa partiake.

Taravari në Kroaci pritet nga deputetja shqiptare Ermina Lekaj Prljaskaj

Në këtë takim në një atmosferë të ngrohtë miqësore u diskutua për gjendjen e shqiptarëve të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kroaci, si dhe për përparimin e Kroacisë pas anëtarësimit në strukturat euro-atlantike

SHKUP – Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, është pritur sot në Kuvendin e këtij vendi në Zagreb nga deputetja shqiptare Ermina Lekaj Prljaskaj.

Siç thekson shërbimi për informim i komunës së Gostivarit, në këtë takim në një atmosferë të ngrohtë miqësore u diskutua për gjendjen e shqiptarëve të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kroaci, si dhe për përparimin e Kroacisë pas anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

Ermina Lekaj Prljaskaj është deputetja e parë shqiptare në Kuvendin e Kroacisë dhe krahas pakicës shqiptare në këtë shtet, përfaqëson edhe pakicën boshnjake, malazeze, maqedonase dhe sllovene.

Gjatë qëndrimit në Kroaci, Taravari vizitoi edhe Komunën Stara Nedelja, si dhe takoi shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Kroaci.

Bëhet e ditur se në takim ishin të pranishëm edhe kryetar i Këshillit Shqiptar të Zagrebit, Shuip Ziberi, këshilltar në Këshillin Shqiptar të Zagrebit ing. Avni Osmani, Shoip Shoipi, si dhe udhëheqësi i Sektorit për Zhvillim Ekonomik Lokal pranë Komunës së Gostivarit – Besim Dogani. aa

Zaevi pas takimit me Tsiprasin: Konfirmuam opsion të pranueshëm për të dyja palët

SHKUP – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev sot pas takimit të mbajtur me homologun e tij grek Alexis Tsipras në Sofje, tha se Maqedonia dhe Greqia kanë opsion që për të dyja palët mund të jetë i pranueshëm lidhur me zgjidhjen e kontestit me emrin.

Pas takimit me kryeministrin grek Tsipras në Sofje, ku mbahet Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, kryeministri Zaev në deklaratë për mediat tha se me homologun e tij grek zhvilluan takim përmbajtësor në të cilin e konfirmuan atë që paraprakisht e kanë dakorduar shefat e diplomacive të të dyja vendeve.

Siç sqaroi Zaev, një nga opsionet është zgjidhje e cila është e pranueshme për të dyja palët në negociatat.

“Pas gjithë asaj që deri tani është arritur, si kryeministra konstatuam dhe konfirmuam se qëndrojmë pas gjithë kësaj. Dhe mirë ka përfunduar. Ajo që kishte mbetur në mënyrë opsionale e hapëm, përmes disa opsioneve dhe konfirmuam një opsion që mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët”, theksoi Zaev.

Ai shtoi se doemos duhet të bisedojnë me presidentët e të dyja shteteve si dhe me liderët tjerë, me përfaqësuesit e opozitës, andaj mbetet të bëhen edhe detajet tjera.

Mes tjerash, Zaev tha se mes Maqedonisë dhe Greqisë është zhvilluar miqësi, e cila do të zhvillohet edhe në të ardhmen.

“Do të ishte mirë që zgjidhja e cila për të dyja palët do të ishte e pranueshme, të arrihet që tani, meqë në fund të qershorit kemi Këshillin Evropian ndërsa kjo do të ishte inkurajim shtesë për Këshillin Evropian”, tha Zaev.

Rama e takoi në Francë, Macron nuk ndryshon qëndrim: S’jam për zgjerimin e BE-së

SOFJE-Duke folur nga samiti i Sofjes, ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, presidenti francez Emanual Macron ka thënë se zgjerimi i BE duhet të shihet me shumë kujdes. Presidenti Macron tha se nuk është për zgjerimin para se në BE të bëhet një reformë reale, por mbështet Ballkanin të ecë përpara drejt BE-së.

“Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që mendojmë ta zgjerojmë atë. Dhe unë nuk mendoj që ne bëjmë një shërbim për vendet kandidate apo veten tonë duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë drejt zgjerimit. Unë jam në favor të anëtarësimit te Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por unë mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi. S’jam për zgjerimin para se në BE të bëhet një reformë reale”- tha Macron për gazetarët.

Deklaratat e Macron shihen si një zhgënjim ne mënyrë te veçantë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilët shpresojnë për dritën e gjelbër nga udhëheqësit e BE muajin e ardhshëm për të filluar bisedimet për anëtarësimin.

Kujtojmë se dy ditë më parë kryeministri Rama zhvilloi një takim me presidentin francez në pallatin Elysee pas rekomandimit të KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Kurz në Sofje: Perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor edhe gjatë kryesimit austriak

Në fillim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kancelari austriak Kurz tha se Austria vlerëson se ekziston një perspektivë e mirë për aderimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE

SOFJE – Afrimi i Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet edhe gjatë kryesimit austriak me Bashkimin Evropian (BE), deklaroi sot në Sofje kancelari austriak Sebastian Kurz.

Në fillim të Samitit BE-Ballkani Perëndimor i cili po mbahet sot në kryeqytetin bullgar, Kurz tha se Austria vlerëson se ekziston një perspektivë e mirë për aderimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Qëndrimi i Austrisë është i qartë, se përkrah ato shtete në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”, tha Kurz.

Ai foli për kryesimin austriak me BE-në, që fillon më 1 korrik, duke thënë se gjatë atij kryesimi, qëllimi i BE-së do të jetë, përparimi në aderimin e Ballkanit Perëndimor në Union.

“Jam në veçanti optimist për Serbinë dhe Malin e Zi, por shpresoj të përparojmë te rasti i Maqedonisë me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin”, tha Kurz.

Siç tha ai, tashmë për një kohë, BE-ja ofronte shumë pak perspektivë për Ballkanin Perëndimor, por fatmirësisht tha ai, kjo politikë ka ndryshuar.

Kancelari austriak ripërsëriti vazhdimin e mbështetjes për marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Irani është një vend me potencial, por kjo marrëveshje njëkohësisht është e mirë edhe për sigurinë tonë sepse mundëson që Irani të ndalë zhvillimin e armëve bërthamore. Kemi disa javë para vetes të përpiqemi ta shpëtojmë këtë marrëveshje nëse është e mundur”, tha Kurz.

Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini, Eurokomisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Bankës Botërore. aa

Merkel: Interesi i Evropës është një Ballkan Perëndimor i sigurt

“Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë ne, është e një rëndësie të kemi një Ballkan Perëndimor i cili zhvillohet mirë ekonomikisht”, tha Merkel, pjesëmarrëse në samitin BE-Ballkani Perëndimor

SOFJE – Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë, Ballkani Perëndimor duhet të jetë i sigurt, deklaroi të enjten në Sofje kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Merkel theksoi se kjo është në interesin e Evropës. “Me qëllim të paqes dhe sigurisë për të gjithë ne, është e një rëndësie të kemi një Ballkan Perëndimor i cili zhvillohet mirë ekonomikisht”, tha Merkel, pjesëmarrëse në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në kryeqytetin bullgar.

Ajo lavdëroi nikoqirin e Samitit, kryeministrin bullgar, Bojko Borisov, për siç tha, “organizimin e shkëlqyer të eventit”. “Pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor garanton paqe dhe siguri për të gjithë ne, ndërsa Bojko Borisov ka investuar shumë mund në këtë çështje”, tha ajo.

Për marrëveshjen bërthamore me Iranin, Merkel tha se i gjithë Bashkimi Evropian është i mendimit se marrëveshja në fjalë nuk është e përkryer, megjithatë duhet të mirëmbahet, dhe të vazhdojnë negociatat me Iranin.

Kryeministri Borisov, u tha gazetarëve se ardhja në Sofje e përfaqësuesve të lartë të Unionit dhe liderëve të shteteve anëtare të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor është një shenjë shumë e mirë.

Borisov priti në Sofje kancelaren Merkel, si dhe kryeministren britanike, Theresa May dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, të cilët në Pallatin Kombëtar të Kulturës ku u mbajt Samiti, erdhën bashkë.

Macron u tha gazetarëve se personalisht angazhohet për një dijalog të përforcuar me Ballkanin Perëndimor dhe një perspektive evropiane të atyre shteteve, por se me një kujdes të madh duhet ti qasemi secilit zgjërim, para zbatimit të reformave në BE për funksionim më të mirë të Unionit.

Gazetarëve iu drejtua edhe kryeministrja britanike May, e cila tha se përkundër Brexitit, Londra mbetet e përkushtuar për një lidhje me shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se në korrik do të mbahet një takim i liderëve të shteteve nga Procesi i Berlinit, në lidhje me sigurinë. “Për ne, stabiliteti dhe siguria e Ballkanit është një temë shumë e rëndësishme”, nënvizoi ajo.

Në samit, përveç krerëve të shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, gjithashtu marrin pjesë udhëheqës nga Ballkani Perëndimor. Udhëheqësit e Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Kosovës marrin pjesë në Samit. Nikoqir i takimit është kryeministri bullgar Bojko Borisov, ndërsa me takimin do të kryesojë presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Ai përfaqëson BE-në, si dhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Po ashtu, në samit marrin pjesë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, eurokomisioneri për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johannes Hahn si dhe përfaqësues të Bankës Botërore.

Vuçiçi konfirmon: Kam marrë një plan të Perëndimit për Kosovën

SOFJE– Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka konfirmuar në Sofje, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, sot pasdite se e ka pranuar një plan të përgatitur nga Perëndimi si propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

‘B92’ raporton se kjo është hera e parë që Vuçiçi e ka thënë këtë publikisht – pas disa ditësh spekulimesh në media se Perëndimi “po e kërcënon dhe po e shantazhon atë dhe Serbinë”.

“Askush nuk po e kërcënon Serbinë e as mua. Ka pasur presion ndaj Serbisë për pesë vite tani sepse Perëndimi po e dëshiron pavarësinë e Kosovës. Ne nuk e duam. A na obligon kjo? Jo. A është pozita jonë e lehtë? Jo. Nëse do të pranoja diçka që do t’i përshtatej opinionit serb, do të dilja para popullit, por kam pranuar vetëm shenja”, tha Vuçiç, shkruan lajmi.net.

“Ne e kemi një plan të caktuar, por nuk jam i kënaqur me detaje të caktuara. Jemi në kërkim të një zgjidhjeje kompromisi që kërkon marrjen në konsideratë të interesave të serbëve në Kosovë, por edhe të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar ai.

Vuçiçi: Serbët e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës do të jetë shumë e dhimbshme

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për AFP thotë se çështja e Kosovës është pengesa kryesore e pranimit të Serbisë në BE. Ai tha se populli serb është i vetëdijshëm se zgjidhja e kësaj çështjeje do të jetë shumë e dhimbshme. Agjencia franceze e lajmeve (AFP), shkruan se BE-ja, e cila të enjten në Sofje organizon një samit për Ballkanin, është e ndarë lidhur me pavarësinë e Kosovës, sepse pesë anëtarë të saj nuk e kanë njohur ende. Megjithatë, BE kërkon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat duan të bëhen anëtarë të BE.

Tema e pavarësisë së Kosovës edhe dhjetë vjet pas shpalljes është tabu politike në Serbi, e cila e ka përfshirë edhe në kushtetutën e saj. “I vetmi problem i madh, të cilin unë e konsideroj një pengesë reale për rrugën tonë evropiane, është çështja e Kosovës. Në fund, e gjitha varet nga Kosova”, ka thënë Vuçiç në intervistë për AFP, përcjell Telegrafi. Agjencia shkruan se çështja e Kosovës e zbeh politikën e Evropës ndaj Rusisë, aleates tradicionale të Serbisë, sepse, siç thotë Vuçiç “në rastin më të mirë, kjo (hyrja në BE) është për shtatë vjet, e situata ndërkombëtare do të jetë krejtësisht ndryshe”.
“Në qoftë se më pyesni nëse BE-ja i entuziazmon serbët, përgjigja është: jo. Por, është një popull racional, se çfarë është rruga më e mirë për serbët dhe Serbinë, dhe është i vetëdijshëm se çështja (e Kosovës) duhet të zgjidhet në një mënyrë shumë të dhimbshme”, tha Vuçiç.

Vuçiç thotë se edhe pse gjatë vitit të ka rënë përkrahja për anëtarësim në BE, një pjesë e madhe e popullatës mbështet hyrjen në BE. Vuçiç theksoi nevojën për kompromis, me të cilin të dyja palët do të ishin nga pak të pakënaqur, “në vend të një situate, ku njëra palë merr gjithçka, e tjetra poshtërohet”. Sipas Vuçiçit, vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave Serbe mund të flitet për zgjidhjet e mundshme për të ardhmen. “Për njohjen e Kosovës ende nuk është diskutuar dhe Serbia nuk dëshiron një zgjidhje të tillë”. AFP shkruan se zgjidhja përfundimtare do të kërkonte ndryshim në Kushtetutën e Serbisë, e që duhet të konfirmohet përmes një referendumi.

“Në rast të një rezultati negativ të referendumit, atëherë kjo do çonte në një konfliktit të ngrirë për disa dekada dhe të gjithë do të donin ta braktisnin Serbinë”, tha Vuçiç. Ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç ka folur disa herë për shkëmbimin e mundshëm të territoreve . AFP thotë se Vuçiç kurrë nuk e ka marrë në konsideratë publikisht këtë ide, sepse zyrtarët dhe ekspertët perëndimorë një gjë të tillë e konsiderojnë destabilizuese. “Unë dëgjoj çfarë thonë ata në Perëndim (…) se kjo do të hapte kutinë e Pandorës. Por, kutia e Pandorës u hap dhjetë vjet më parë, kur vendet perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiç. Sipas tij, “serbëve duhet t’u ofrohet diçka që do t’u tregonte se janë të respektuar dhe se 30 vjet pas luftërave nuk do të paguajnë për atë që ka ndodhur në ish-Jugosllavi”.

Vuçiç: Nuk frikësohem nga sanksionet e Perëndimit

Vuçiç tha se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të Quintit në Washington, porse kjo nuk mund të jetë ndonjë befasi pasi të gjitha vendet e Quintit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sot deklaroi se nuk frikësohet nga sanksionet e Perëndimit në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Ai tha se nuk ka parë kurrfarë dokumenti nga takimi i fundit i vendeve të Quintit në Washington, porse kjo nuk mund të jetë ndonjë befasi pasi të gjitha vendet e Quintit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nuk do të ketë sanksione, kjo është gjithçka mund t’ju them. Nuk kam parë asnjë dokument të Washingtonit. Kam dëgjuar për atë çfarë disa ofrojnë si parime të tyre. Diçka më është kumtuar në mënyrë gjysmëzyrtare”, u tha Vuçiç gazetarëve në Beograd.

Vuçiç tha se Serbia është vet përgjegjëse për situatën momentale dhe rrethanat e këqija në të cilat zgjidhet çështja e Kosovës, duke pasur parasysh disa hapa me të cilat ajo vetë “vuri vulën në zarfin e pavarësisë së Kosovës”.

“Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme për të cilat pjesërisht përgjegjës jemi ne, veçmas për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, falë politikave të krisura dhe të papërgjegjshme të disa individëve. E tani luftojmë që nga gremina ta nxjerrim vendin dhe të arrijmë sa më shumë për shtetin dhe qytetarët tanë. Do ta vazhdojmë këtë betejë”, tha Vuçiç.

Vuçiç më pas deklaroi se serbët dhe kroatët janë popuj të vegjël dhe se vetëm të bashkuar mund të mbijetojnë, ndonëse për shumë kroatë kjo është e vështirë ta dëgjojnë, ndërsa për disa serbë akoma më shumë. aa

Gjuriç i gatshëm t’u kundërpërgjigjet vendimeve të SHBA-së për Kosovën

BEOGRAD– Mediat serbe ditëve të fundit kanë raportuar se në Uashington janë zhvilluar konsultime nga vendet e Quintit në lidhje me zgjidhjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriç, tha se i ka parë nëpër gazeta këto raportime, por që sipas tij, Serbia nuk duhet të shqetësohet.

“Ne nuk duhet të shqetësohemi, të gjitha këto vende besojnë se Kosova është shtet i pavarur, dhe po synojnë të krijojnë kushte që ta detyrojnë Serbinë të bëjë lëshime për temën e Kosovës”, tha Gjuriç.

Ai deklaroi se shteti serb nuk do të pranojë asnjëherë vendime të njëanshme.

“Ne do të flasim vetëm për kompromis, kurrë nuk do të pranojmë vendime të njëanshme”, tha Gjuriç në RTS.

Gjithashtu Marko Gjuriç komentoi edhe emërimin e prokurorit të ri të Speciales.

Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me këtë gjykatë në mënyrë që të dënohen “krimet e luftës”.

Jovanoviç: Beogradi do veriun e Kosovës në shkëmbim të njohjes së pavarësisë

Në Prishtinë, politikani serb, Çedomir Jovanoviç, tha sot se Serbia dhe Kosova duhet të zgjidhin së bashku mosmarrëveshjet, por nëvizoi se njohja e ndërsjellë do të jetë e vështirë, për shkak të gjendjes në Serbi.

Në një debat të organizuar në Prishtinë, zoti Jovanoviç tha se zyrtarët në Prishtinë e kanë bërë të ditur se nga bisedimet dëshirojnë të sigurojnë njohjen, ndërsa Serbia po e shpreh nëpërmjet metaforash synimin për ndarjen e Kosovës.

Kush është gazetarja që i mbijetoi dy atentateve dhe pse hoqi dorë nga mbrojtja e policisë

Gazetarja malazeze Olivera Lakiç, të cilës i bënë pritë mbrëmjen e kaluar, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Por kjo nuk është hera e parë që Lakiç i mbijeton një sulmi të tillë të frikshëm. Para gjashtë vitesh, ndaj saj është organizuar një tjetër sulm, pikërisht për shkak të profesionit si gazetare investigative.

49-vjeçarja në atë kohë u godit disa herë në kokë me mjete të forta, por si për mrekulli ajo shpëtoi ashtu si edhe këtë radhë kur u qëllua me plumb në këmbën e djathtë.

Redaktori i saj është shprehur për mediat se kishte mbetur pa fjalë kur ka dëgjuar lajmin për pritën që i ishte bërë gazetares.

“Jam pa fjalë. Deri kur do vazhdojë t’i ndodhë kjo gjë Malit të Zi?”, tha Mihajlo Jovović. Redaktori i të përditshmes “Vijesti” tha gjithashtu se policia nuk i kishte hetuar kurrë asnjë nga krimet për të cilat raportonte Lakiç, pasi ajo shkruante për krimin dhe korrupsionin në Mal të Zi.

“Asnjë nga sulmet ndaj saj nuk është zgjidhur deri më tani. Shumica e historive për të cilat ajo raporton, bëjnë fjalë për krime të cilat nuk janë hetuar kurrë.”, tha Jovoviç.

Ndërkohë për sulmin e djeshëm, shefi i policisë Vesko Damjanoviç tha në një konferencë për mediat, se Olivera Lakic ka plagë plumbash në këmbën e saj të djathtë, por jeta e saj nuk është në rrezik. Po ashtu

Damjanoviç tha se policia do të “bëjë çmos për të zbuluar autorët dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë”, por duket se për të zbuluar autorët e atentatit ndaj gazetares, duhen hetuar krimet për të cilat ajo raporton.

Sulmi ndaj gazetares malazeze, është sulmi i dytë që ka ndodhur brenda një muaji në Mal të Zi. Sulmi tjetër ka ndodhur ndaj një gazetari të shquar në qytetin verior të Bijelo Polje-s, kur një bombë shpërtheu pranë shtëpisë së tij.

Për këtë arsye kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të madh në Europë, pasi për këtë ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Podgoricë.

“Sulmi ndaj gazetarit Olivera Lakiç është shumë shqetësues. Gazetarët duhet të mbrohen,” shkroi ambasadori Aivo Orav. Ky koment i ambasadorit të BE-së ka nxitur reagim të madh në vend, pasi Mali i Zi aspiron të bashkohet me BE-në deri në vitin 2025.

Po ashtu edhe Ambasada e SHBA në Podgoricë shprehu shqetësim rreth sulmit.

“Gazetarët janë kujdestarë të demokracisë dhe duhet të mbrohen në mënyrë që ata të mund të bëjnë punën e tyre në siguri të plotë”, ishte shqetësimi i ngritur nga Ambasada Amerikane.

Një duzinë sulmesh kanë ndodhur kundër gazetarëve në 15 vitet e fundit, përfshirë edhe vrasjen e redaktorit Dushko Jovanoviç në vitin 2004 në Mal të zi, por shumica prej tyre kanë mbetur të pazgjidhura.

 

PSE HOQI DORË NGA NDIHMA E POLICISË

Por kjo nuk është e gjitha. Vetë Lakiç nuk kishte besim te policia, e cila ishte angazhuar ta mbronte në vitin 2012, pas sulmit që i ndodhi përpara shtëpisë së saj.

Ajo hoqi dorë nga mbrojtja e policisë, pasi sipas saj ata e kanë diskredituar atë si gazetare dhe madje edhe janë munduar ta trembin.

Në një letër të botuar më 5 tetor të 2014-ës, në të përditshmen “Vijesti”, gazetarja shpjegon arsyet e vendimit të saj për të hequr dorë nga mbrojtja.

Fillimisht Lakiç tregon se kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Brendshme dhe në polici, për t’u informuar për aktivitetet që kishin kryer eskortat e saj, por ky informacion iu refuzua t’i jepej.

“Unë kam kërkuar një mijë herë për një shpjegim se pse ata (policët) më mbajnë nën vëzhgim, derisa do të zgjasë kjo gjë dhe në cilën pikë janë hetimet që, ata thonë se po udhëheqin. Ministri i Brendshëm më tha në dhjetor të vitit të kaluar se Agjencia e Sigurisë Shtetërore ka përgatitur dhe dorëzuar një analizë mbi gjendjen e situatës. Ata do të më bënin të ditur për pak ditë nëse jam ende e kërcënuar ose jo, por kurrë nuk e dërguan atë përgjigje”, vazhdon më tej Lakiç, e cila thotë se nga ky moment ka vendosur që për sigurinë e jetës së saj t’i besojë vetëm vetes dhe familjes.

“Ata kanë punuar për diskreditimin tim si një qenie njerëzore dhe si gazetare, kanë penguar hetimet dhe janë përpjekur të më trembin më tej. Në këto mjedise, unë jam quajtur si një armik i shtetit, një gazetare e manipuluar që punon për interesat e të tjerëve dhe jo në interes të profesionit të saj. Asnjëri prej tyre ende nuk ka pasur guximin ta thotë atë në publik dhe të argumentojë dëmin që më kanë bërë mua si grua dhe si gazetare”, ka deklaruar Lakiç, e cila tha se shoqërimi i policisë nuk i ka siguruar lirinë por e ka robëruar atë, duke mos e lejuar të kryente punën si gazetare./Hashtag.al

Putin i rreh shpatullat Vuçiç dhe e mbështet ‘për luftë’: Pa Rusinë, nuk ka zgjidhje për Kosovën!

Vladimir Putin përgëzon Aleksandër Vuçiç për besnikëri dhe i premton se pa bindjen e Rusisë nuk do të ketë zgjidhje për problemin e Kosovws

Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin sipas të përditshmes serbe ‘Novosti’, ka përgëzuar në një bisedë joformale, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për qëndrim konsekuent në lidhje me Rusinë. Putin i ka premtuar Vuçiç se Moska po i ndjek në mënyrë aktive bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe po survejon ndikimin e faktorëve të tjerë perëndimorë në këto bisedime. Putin mësohet të ketë thënë se pa pajtimin e Rusisë do të jetë e pamundur arritja e zgjidhjes për Kosovën.

Deklaratat e Putin dhe qëndrimet e Aleksandër Vuçiç kanë alarmuar Perëndimin e rrjedhimisht përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë do të diskutojnë sot në Uashington, ndër të tjera, do të flasin sot ecurinë e mëtejshme të dialogut Prishtinë-Beograd. Presidenti serb do të takohet me deputetin gjerman dhe kryetarin e Komisionit për çështjet evropiane në Bundestag, Gunther Krichbaum. Krichbaum njihet për qëndrimet e tij në favor të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së ndërsjelltë si shtete mes Kosovës dhe Serbisë.

Serbia, marrëdhëniet më të këqija me Kroacinë e Shqipërinë

Marrëdhëniet më të mira me vendet fqinje Serbia i ka me Bosnjë e Hercegovinën e Maqedoninë, ndërsa më të këqijat i ka me Kroacinë e Shqipërinë.

Mali i Zi është në vendin e tretë në mesin e shteteve me të cilat Serbia i ka marrëdhëniet më të mira.

Ky është rezultati i një ankete zhvilluar me qytetarë të Serbisë, njofton FoNet.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së, të anketuarit serbë mendojnë se miqtë më të mëdhenj i kanë Gjermaninë, Greqinë, Spanjën dhe Austrinë ndërsa armiqtë më të mëdhenj për ta janë Kroacia, Britania e Madhe dhe Franca.

Sipas kësaj ankete, gjysma e qytetarëve të Serbisë parimisht e përkrah anëtarësimin në BE, porse, po të mbahej referendumi për hyrjen e Serbisë në Union, për do të votonin 49,5 për qind e qytetarëve. 62 për qind e të pyeturve kanë thënë se Serbia ka dobi nga bashkëpunim i me BE-në.

Serbia anulon ftesat për deputetët e Kosovës

Tre deputetëve nga Kosova që ishin ftuar për të marrë pjesë në konferencën me temën: “Përmes idesë së BE-së drejt paqes dhe zhvillimit”, të paraparë të mbahet me 11-12 maj në Beograd, u janë anuluar ftesat të mërkurën.

Vjosa Osmani, Blerta Deliu dhe Ilir Deda ishin ftuar nga kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak.

Por, kryetarja e parlamentit serb, Maja Gojkoviç anuloi ftesat duke paralajmëruar madje se “është e gatshme të largohet” nga posti nëse ndodh ndryshe.

Deputeti i parlamentit të Kosovës, Ilir Deda, dukë njoftuar për anulimin e ftesave shkroi në rrjetin social facebook se “në ditën e Evropës, del fytyra anti-evropiane e udhëheqësisë së Serbisë. Veprimet e tilla janë në kundërshtim me deklarimet për ‘normalizim’ të raporteve me Kosovën, dhe për ‘përkushtimin’ ndaj rrugëtimit evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai.

Deputetja, Vjosa Osmani, këtë veprim e ka cilësuar si tregues të qartë të vlerave anti evropiane të Serbisë.

“Edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve. Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në një komunikatë të zonjës Osmani.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur dhjetë vjet më parë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën që i kanë mundësuar asaj negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon.

Kryetari Këshillit për Integrimet Evropiane në Parlamentin e Serbisë, Nenad Çanak, u ka thënë medieve serbe se ftesat janë anuluar “për shkak të pyetjes së kriminelit të dënuar të luftës Vojislav Sheshel, pyetje të cilën as që kishte të drejtë ta bënte në parlamentin e Serbisë, sepse ligjërisht ai nuk është as deputet”.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte e dënuan më 11 prill të këtij viti ultranacionalistin serb Vojislav Sheshel, duke përmbysur një vendim të dy vjetëve më parë që e kishte liruar atë nga akuzat për përndjekje, deportim dhe veprime jonjerëzore.

Erdogani kritikon ashpër një grup personalitetesh franceze

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan reagoi me zemërim ndaj një grupi prej rreth 300 personalitetesh franceze, të cilët u kanë kërkuar myslimanëve të shquar të denoncojnë referencat anti-hebraike dhe anti-krishtere në Kuran.

Duke folur të martën në një takim të partisë në pushtet, zoti Erdogan i quajti “të neveritshme” personalitetet franceze në fjalë, ku bëjnë pjesë aktori Gerard Depardieu, këngëtari Charles Aznavour dhe ish-presidenti Nicolas Sarkozy, duke i akuzuar se kanë sulmuar shkrimet e konsideruara të shenjta nga myslimanët.

Deklarata e francezëve u bënte thirrje myslimanëve të denoncojnë disa referenca, në mënyrë që “besimtarët, – sipas tyre, – të mos i referohen një teksti të shenjtë për të kryer një krim”.

Presidenti Erdogan la të kuptohet se libra të tjerë të shenjtë kanë referenca të debatueshme. Nëse ata e kanë lexuar Biblën, tha ai, “ndoshta do të kërkonin që ajo të ndalohej”.

Vuçiçi pritet me ceremoni zyrtare nga Erdogani

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u prit me ceremoni zyrtare në Kompleksin Presidencial në Ankara nga homologu turk Recep Tayyip Erdoğan

ANKARA – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, priti me ceremoni zyrtare homologun e tij nga Serbia, Aleksandër Vuçiç, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Turqi.

Erdoğan priti presidentin serb Vuçiç në hyrje të Kompleksit Presidencial në Ankara, ndërsa ceremonia vijoi me intonimin e himneve të të dy vendeve.

Vuçiç përshëndeti gardën e nderit kurse pas prezantimit të delegacioneve, dy presidentët pozuan para flamurit të Turqisë dhe Serbisë.

Erdoğan dhe Vuçiç, të cilët kaluan në takimin kokë më kokë, më pas do të marrin pjesë në Seancën e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit.

Pas ceremonisë së firmosjes së marrëveshjeve, dy presidentët pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ndërsa do të vijojë edhe një darkë zyrtare e shtruar nga Erdoğan në nder të homologut serb.

Në ceremoninë e pritjes morën pjesë edhe zyrtarë të lartë shtetërorë të Turqisë, përfshirë zëvendëskryeministrin Fikri Işık, ministra të shumtë, si ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu si dhe zëdhënësin presidencial Ibrahim Kalın.


Send this to a friend